Beteja më e madhe në botë!
Charles Spurgeon
Publikuar më 1891
Marrshin përgjigje të plotë dhe të shpejtë të gjitha lutjet që janë ofruar tashmë! U bëfshin edhe lutje të tjera për atë çfarë na ka bashkuar! Pjesa më e paharrueshme e Konferencave të kaluara ka qenë harmonia e shenjtë e lutjes me besim dhe besoj se nuk do ta ulim ritmin në këtë drejtim, por do të bëhemi gjithnjë e më të zellshëm dhe më këmbëngulës në ndërmjetësim. Në gjunjë, besimtari është i pamposhtur.
E kam vrarë shumë mendjen për muaj të tërë në lidhje me këtë ligjëratë derisa erdhi në dritë: pa diskutim që është për mua fëmija i shumë lutjeve. Kam shumë dëshirë që të jem në gjendje të flas si duhet në një rast kaq të vlefshëm, në mënyrë që të rezultojë fjalimi më i mirë i mundshëm, por në të njëjtën kohë, në këtë çështje ashtu si edhe në çdo punë tjetër, dëshiroj të jem, siç e thotë edhe lutja e vëllait tonë, tërësisht në duart e Zotit. Do të isha i gatshëm të flisja duke m’u marrë goja nëse në këtë mënyrë qëllimi i Perëndisë mund të përmbushej më plotësisht dhe me gëzim do të humbisja gjithë fuqinë e të folurit nëse, ndërsa po vuani zinë e bukës prej fjalëve njerëzore, ju të mund të ushqeheshit më mirë me atë ushqim shpirtëror që gjendet vetëm në Të, i Cili është Fjala e mishëruar e Perëndisë.
Mund t’ju them, juve si folës në publik, se jam i bindur se ne duhet të përgatitemi me zell dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën në shërbesën e Mjeshtrit tonë të madh. Mendoj se kam lexuar diku se kur një grusht grekësh zemërluanë po luftonin kundër persianëve, një spiun, i cili erdhi t’i këqyrte nga afër, u kthye dhe i tha mbretit të madh se kishin të bënin me krijesa të gjora, sepse po e kalonin kohën duke krehur flokët. Despoti i pa gjërat nën dritën e duhur kur kuptoi se një popull që rregullonte flokët para betejës i kishte vënë një çmim të madh kokës së vet, dhe ata nuk do të pranonin vdekjen e frikacakut. Nëse jemi vërtet të kujdesshëm për të përdorur gjuhën më të mirë kur shpallim të vërtetat e përjetshme, kundërshtarët tanë mund të nënkuptonin nga kjo se jemi akoma më të kujdesshëm me vetë doktrinat. Ne nuk duhet të jemi ushtarë të shkujdesur kur ndodhemi para një beteje të madhe, sepse kjo do të dukej si zemërlëshim. Në betejën kundër doktrinës së rreme, botës dhe mëkatit, ne përparojmë pa pasur frikë nga rezultati përfundimtar. Si rrjedhim fjala jonë nuk duhet të jetë fjalë e pasionit të shfrenuar, por e parimit të mirë-shqyrtuar.
Nuk na takon neve që të jemi të shkujdesur, meqë po kërkojmë të jemi fitimtarë. Punoni mirë gjatë kësaj kohe që të gjithë njerëzit të mund të shohin se nuk do të sprapseni. Në një rast tjetër, kur ai pa një grusht luftëtarësh që përparonin, Persiani tha: “Ai grusht i vogël njerëzish! Sigurisht që nuk e kanë me gjithë mend për të luftuar!” Por dikush aty pranë i tha: “Po, po, me gjithë mend e kanë, sepse ata kanë pastruar mburojat, dhe i kanë bërë armët e tyre të shndrisin.” Njerëzit e kanë me gjithë mend kur nuk i bëjnë gjërat shkel e shko.
Kështu ndodhte mes grekëve, kur kishin një ditë të përgjakshme përpara. Ata e tregonin gëzimin e paepur prej luftëtarësh duke u zbukuruar mirë. Mendoj vëllezër, se kur kemi punë të mëdha për të bërë për Krishtin dhe e kemi me gjithë mend, nuk do të dalim në podium apo platformë për të thënë gjënë e parë që na vjen ndër mend. Nëse flasim për Jezusin duhet të flasim sa më mirë, megjithëse, edhe atëherë, njerëzit nuk vriten nga shkëlqimi i mburojave dhe as nga lëmimi i flokëve të luftëtarit, por një fuqi më e lartë nevojitet për të shpuar parzmoren. Tek Perëndia i ushtrive i kthej sytë. Mbroftë Ai të drejtin! Por unë nuk përparoj me hap të shkujdesur drejt frontit, as dyshimet nuk i lë të më pushtojnë. Ne jemi të dobët, por Zoti, Perëndia ynë është i fuqishëm, dhe beteja është e Zotit, dhe jo e jona.
Vetëm një frikë ndikon tek unë deri në njëfarë mase. Jam i shqetësuar se mos ndjenja e thellë e përgjegjësisë zvogëlon efikasitetin tim. Një njeri mund të ndjehet se duhet të dalë kaq mirë, saqë, për po atë arsye, ai mund të mos dalë aq mirë sa mundet. Një ndjenjë e papërballueshme e përgjegjësisë mund të sjellë paralizim. Një herë rekomandova një arkëtar të ri të punonte në një bankë dhe miqtë e tij me të drejtë i dhanë porosi të rreptë që të ishte shumë i kujdesshëm me numrat. Këtë këshillë ai e kishte dëgjuar shumë herë. Ai tregohej kaq i kujdesshëm sa bëhej nervoz, dhe ndërkohë që kishte qenë i saktë më përpara, shqetësimi e bëri që të bënte gafë pas gafe, deri sa u detyrua të largohej. Është e mundur që të shqetësohesh kaq shumë për atë se si dhe çfarë do të flasësh, saqë e humb toruan dhe harron pikërisht ato pika që dëshiroje t’i bëje sa më të qarta.
Vëllezër, po ju tregoj disa nga mendimet e mia personale, sepse ne jemi të ngjashëm në thirrjen tonë dhe duke patur të njëjtat përvoja, na bën mirë të dimë se kështu janë gjërat. Ne që udhëheqim kemi të njëjtat dobësi dhe probleme si ju që jeni ndjekës. Ne duhet të përgatitemi, por ne gjithashtu duhet të besojmë tek Ai pa të Cilin asgjë nuk fillon, nuk vazhdon, dhe nuk përfundon siç duhet.
Kam këtë ngushëllim se edhe nëse nuk flas ashtu si duhet për temën, vetë tema do t’ju flasë juve. Ka diçka me vlerë edhe në thjesht hapjen e një teme të përshtatshme. Nëse një njeri flet mirë rreth një teme që nuk ka rëndësi praktike, nuk ka bërë mirë që ka folur. Siç ka thënë një nga të vjetrit: “Është e kotë të flasësh me vend mbi një çështje e cila vetë nuk është me vend.” Zbukuro një guaskë me mjeshtërinë më të madhe dhe prapëseprapë mbetet vetëm një guaskë, ndërsa një diamant edhe nëse pritet keq, mbetet një gur i çmuar. Nëse çështja ka rëndësi të madhe, edhe nëse njeriu nuk mund të flasë mirë për temën e tij, prapëseprapë ta tërheqësh vëmendjen aty nuk është diçka e kotë. Subjektet që do të shqyrtojmë me këtë rast, duhen shqyrtuar dhe duhen shqyrtuar tani. Kam zgjedhur të vërteta aktuale dhe thelbësore dhe nëse do t’i bluani në mendjen tuaj me kujdes, kjo ligjëratë nuk do të jetë humbje kohe për ju. Me këtë zell të brendshëm lutem që ne të gjithë të mund të përfitojmë nga kjo orë e meditimit!
Fatmirësisht temat janë të tilla që mund t’i ilustroj edhe në këtë ligjëratë. Ashtu si kovaçi e mëson çirakun e tij ndërsa bën një patkua, po, dhe duke bërë një patkua, ashtu edhe ne mund t’i bëjmë vetë predikimet tona shembuj të doktrinës që përmbajnë. Me këtë rast ne mund të praktikojmë çfarë predikojmë, nëse Zoti është me ne. Një mësues kuzhine i mëson nxënësit e vet duke ndjekur vetë recetat e tij. Ai e përgatit një pjatë para auditorit dhe ndërsa përshkruan përbërësit dhe përgatitjen e tyre, e shijon ushqimin vetë, por po ashtu edhe miqtë e tij fitojnë forca të reja. Ai do të ketë sukses me pjatat e tij të shijshme, edhe nëse nuk është një orator. Njeriu që ushqen ka më tepër mundësi që të ketë sukses sesa ai që vetëm i bie mirë një instrumenti, dhe nuk i lë auditorit kujtim tjetër veç tingullit të tij të këndshëm. Nëse temat që sjellim para njerëzve tanë janë në vetvete të mira, ato do të kompensojnë të metat tona në parashtrimin tyre. Për aq kohë sa miqtë marrin ushqimin shpirtëror, kamerieri në tryezë kënaqet që e harruan.
Temat e mia kanë të bëjnë me punën tonë të jetës, me betejën ku jemi angazhuar kundër gabimit dhe mëkatit. Shpresoj se çdo njeri këtu e mban kryqin e kuq në zemër, dhe ka dhënë fjalën që të bëjë dhe guxojë për Krishtin dhe për kryqin e Tij, dhe të mos kënaqet asnjëherë deri sa armiqtë e Krishtit të jenë shpartalluar dhe vetë Krishti të mbetet i kënaqur. Etërit tanë flisnin për “Kauzën e Perëndisë dhe të së Vërtetës” dhe pikërisht për këtë ne mbajmë armët, pak kundër shumë vetave, të dobëtit kundër të fuqishmëve. Oh sa kënaqësi është që të llogaritemi si ushtarë të Jezu Krishtit!
Tri gjëra kanë rëndësi maksimale pikërisht tani, dhe, në fakt, ato kanë pasur gjithnjë rëndësi, dhe gjithnjë do të jenë në pararojë për qëllime praktike. E para është armatura jonë, që është Fjala e frymëzuar; e dyta është ushtria jonë, kisha e Perëndisë së gjallë, e thirrur nga Ai vetë, të cilën duhet ta udhëheqim nën komandën e Zotit tonë; dhe e treta është forca jonë, me të cilën veshim armaturën dhe përdorim shpatën. Fryma e Shenjtë është fuqia jonë për të qenë dhe për të bërë, për të vuajtur dhe për të shërbyer, për t’u rritur dhe për të luftuar, për t’u ndeshur dhe për të ngadhënjyer. Tema jonë e tretë ka rëndësi kryesore, dhe megjithëse e vendosim të fundit, e vlerësojmë si të parën.
Do të fillojmë me ARMATURËN TONË. Kjo armaturë për mua të paktën dhe shpresoj edhe për secilin prej jush, është: BIBLA. Për ne Shkrimi i Shenjtë është si “kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburoja të njerëzve trima”. Nëse duam armë duhet të vijmë për to këtu dhe vetëm këtu. Nëse kërkojmë shpatën e sulmit dhe mburojën e mbrojtjes, duhet ta gjejmë brenda volumit të frymëzuar. Nëse të tjerët kanë një depo tjetër, unë rrëfej menjëherë se nuk kam asnjë tjetër. Nuk kam asgjë tjetër për të predikuar mbasi kam mbaruar të flas nga ky libër. Në të vërtetë, nuk dëshiroj të predikoj aspak nëse nuk mund të vazhdoj të shtjelloj subjektet që gjej në këto faqe. Çfarë gjëje tjetër ia vlen të predikohet? Vëllezër, e vërteta e Perëndisë është thesari i vetëm që kërkojmë, dhe Shkrimi është ara e vetme ku gërmojmë për ta gjetur.
Ne nuk kemi nevojë për asgjë më tepër sesa Perëndia e ka parë të udhës që të na zbulojë. Disa shpirtra endacakë nuk gjejnë paqe derisa dalin në një vend të huaj: ata dëshirojnë diçka që unë mendoj se nuk do ta gjejnë kurrë, as lart në qiell, as poshtë në tokë, as në ujërat poshtë tokës, për aq kohë sa kanë këtë mendje. Ata kurrë nuk pushojnë, sepse nuk duan të kenë asnjë lidhje me zbulesën e pagabueshme dhe prandaj janë të destinuar që të enden gjatë gjithë kohës dhe përjetësisë dhe të mos gjejnë një qytet banimi. Për momentin ata mburren sikur janë të kënaqur me lodrën e tyre më të re, por pas disa muajsh ata zbaviten duke shkatërruar gjithë nocionet që i kishin përgatitur më parë me kujdes dhe që i demonstronin me ëndje. Ata ngjiten në një kodër vetëm për të zbritur nga aty. Në fakt, ata thonë se ndjekja e së vërtetës është më mirë sesa vetë e vërteta. Atyre u pëlqen peshkimi më tepër sesa peshqit, gjë që mund të jetë e vërtetë, meqë peshqit e tyre janë shumë të vegjël dhe plot me hala. Këta njerëz janë po aq të zotë në shkatërrimin e teorive të tyre sa edhe disa endacakë në shqyerjen e rrobave të tyre.
Ata fillojnë sërish de novo, pa mbarim e pa mbarim: themelet e shtëpisë së tyre gërmohen gjithnjë e më shumë. Ata duhet të jenë të zotë me fillimet, përderisa kanë qenë gjithnjë duke filluar që nga koha kur i kemi njohur. Ata janë si rrotullamet para ciklonit, ose “si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë”.Edhe pse reja e tyre nuk është ajo re që tregonte praninë hyjnore, megjithatë ajo është duke lëvizur gjithnjë para tyre dhe çadrat e tyre sapo janë ngulur dhe ja ku vjen koha që të shkulen sërish. Këta njerëz as nuk po e kërkojnë sigurinë; qielli i tyre gjendet në shmangien e gjithë të vërtetave të ngulitura dhe në ndjekjen e çdo forme spekulimi. Ata janë gjithnjë duke mësuar, pa arritur kurrë tek njohuria e së vërtetës.
Sa për ne, ne e hedhim spirancën në limanin e Fjalës së Perëndisë. Këtu është paqja, forca, jeta, motivi, shpresa dhe lumturia jonë. Fjala e Perëndisë është ultimatumi ynë. Ja ku e kemi atë. Mendja jonë thërret: “E gjeta.” Ndërgjegjja jonë deklaron se këtu është e vërteta. Zemra jonë ka gjetur një mbështetje ku mund të vendosen gjithë ndjenjat e saj dhe prandaj ne prehemi të kënaqur.
Nëse zbulesa e Perëndisë nuk do të ishte e mjaftueshme për besimin tonë, çfarë mund t’i shtonim? Kush mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje? Çfarë mund të propozonte një njeri për t’i shtuar Fjalës së shenjtë? Menjëherë ne do t’i refuzonim me përçmim edhe fjalët më tërheqëse të njerëzve, nëse do të sugjerohej që t’ia shtonim Fjalës së Perëndisë. Materiali nuk do të ishte i të njëjtit lloj. A do t’i shtonit vallë rrecka veshjes mbretërore? A do të grumbullonit papastërtinë e rrugëve në thesarin e një mbreti? A do të bashkonit guaskat e bregdetit me diamantet e Golkondës? Çdo gjë më tepër sesa ajo që vendos para nesh Fjala e Perëndisë, për ta besuar dhe predikuar si jeta e njerëzve, duket plotësisht absurde për ne; megjithatë ne po përballemi me një brez njerëzish që dëshirojnë gjithnjë që të zbulojnë një fuqi të re motivuese dhe një ungjill të ri për kishat e tyre. Mbulesa e shtratit të tyre nuk duket mjaftueshëm e gjatë dhe ata përpiqen të huazojnë një ose dy metër copë nga e unitarianit, agnostikut, ose edhe nga e ateistit. Mirëpo, nëse do të kishte vërtet ndonjë forcë shpirtërore ose fuqi qiellore që do të gjendej jashtë këtij Libri, atëherë mendoj se mund të bënim pa të: në të vërtetë, duhet të jetë një gënjeshtër e tillë sa jemi më mirë pa të.
Shkrimet në vetë sferën e tyre janë si Perëndia në univers— të Gjithëmjaftueshme. Në to zbulohet gjithë drita dhe fuqia, që i duhet mendjes së njeriut në gjërat shpirtërore. Ne dëgjojmë për fuqi të tjera motivuese përtej asaj që gjendet në Shkrime, por ne e konsiderojmë një forcë të tillë si iluzion të kotë.
Një tren ka dalë jashtë shinave, prandaj nuk është në gjendje të vazhdojë më tej, dhe aty arrin një grup mekanikësh për ta ndrequr. Ndizen motorët për ta lëvizur, mirëpo nuk lëviz aspak nga vendi: fuqia motorike nuk mjafton. Dëgjoni! Një djalë i vogël ka gjetur zgjidhjen. Ai thërret, “Baba, nëse fuqia motorike nuk mjafton, do t’u jap atyre kalin tim të drunjtë për t’i ndihmuar.” Na janë ofruar një numër i konsiderueshëm kuajsh të drunjtë kohët e fundit. Ata nuk kanë realizuar ndonjë gjë konkrete, por ama kanë premtuar shumë. Kam frikë se më shumë kanë sjellë të këqija se sa të mira: i kanë nxitur njerëzit drejt përqeshjesh dhe i kanë shtyrë jashtë vendeve të adhurimit që dikur i frekuentonin me gëzim dhe ishin plot e përplot. Lodra të reja janë nxjerrë në vitrinë dhe njerëzit, pasi i kanë parë për pak kohë, kanë kaluar në dyqane të tjera lodrash. Këto sajesa të reja hiçi nuk kanë sjellë asnjë të mirë dhe nuk do të bëjnë asnjë të mirë për aq kohë sa bota të ekzistojë.
Fjala e Perëndisë mjafton për të tërhequr dhe për të bekuar në çdo kohë shpirtrat e njerëzve, por sajesat e reja shpejt dështojnë. Dikush ia pret, “Gjithsesi medoemos që është e nevojshme të shtojmë mendimet tona.” Vëllai im, mendo sa më mirë të mundesh, por gjithsesi mendimet e Perëndisë janë më të mira sesa tuat. Ti mund të lëshosh mendime të bukura, ashtu si pemët në vjeshtë lëshojnë gjethet e tyre, por është një Person që di më tepër rreth mendimeve të tua sesa vetë ti, dhe Ai mendon se ato vlejnë pak. A nuk është e shkruar: “Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi”? T’i krahasonim mendimet tona me mendimet e mëdha të Perëndisë, do të ishte një absurditet trashanik. A do të sillnit qirinj për të dalluar diellin? Asgjënë tuaj për të plotësuar të përjetshmen? Është më mirë të jemi të heshtur para Zotit, sesa të ëndërrojmë për t’i shtuar gjëra atyre që Ai ka thënë. Fjala e Zotit në raport me konceptet e njerëzve është si kopshti në krahasim me shkretëtirën. Qëndro brenda kopertinave të librit të shenjtë, dhe je në tokën ku rrjedh qumësht dhe mjaltë; pse kërkon t’i shtosh rërën e shkretëtirës?
Mos u përpiq të hedhësh tutje asgjë nga volumi i përsosur. Nëse e gjen atje, lëre të qëndrojë atje dhe e ke për detyrë ta predikosh sipas analogjisë dhe masës së besimit. Atë çfarë Perëndia e ka parë të denjë të zbulojë, është e denjë për predikimin tonë dhe nuk kemi asnjë meritë në këtë gjë. “Njeriu do të rrojë me çdo fjalë të Perëndisë.” “Çdo fjalë e Perëndisë është e rafinuar me zjarr: Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek Ai.” Çdo e vërtetë e zbuluar le të nxirret në kohën e vet. Mos kërkoni për subjekte diku tjetër: kjo nuk është e nevojshme, me një pafundësi të tillë para jush; me një të vërtetë të tillë të lavdishme për të predikuar, do të ishte ligësi mizore nëse do të kërkonit gjetkë.
Përshtatshmërinë e gjithë Shkrimit për betejën tonë e kemi provuar tashmë: armët e armaturës sonë janë më të mirat, sepse i kemi provuar dhe të tilla kanë dalë. Disa prej jush, vëllezër më të rinj, pak e keni provuar Shkrimin deri tani, por të tjerë prej nesh, që tani po thinjen, mund t’ju sigurojnë se e kemi provuar Fjalën, ashtu si provohet argjendi në një furrë dheu; dhe ajo i ka qëndruar çdo prove, deri në shtatëdhjetë herë shtatë.
Fjala e shenjtë ka duruar më tepër kritika se më e mira formë e përparuar e filozofisë apo shkencës dhe i ka mbijetuar çdo sprove të rëndë. Siç ka thënë një teolog, “Pasi gjithë kundërshtarët e saj të tanishëm të kenë vdekur, predikimet në funeralet e tyre do të bëhen nga ky Libër — asnjë varg nuk do të lihet jashtë – nga faqja e parë e Zanafillës e deri te faqja e fundit e Zbulesës.” Disa prej nesh kanë jetuar në konflikt të përditshëm për shumë vite me radhë, duke vënë përherë në provë Fjalën e Perëndisë, dhe me sinqeritet mund t’ju japim këtë garanci, se ajo vlen për çdo rast të ngutshëm. Mbasi kemi përdorur këtë shpatë me dy tehe mbi parzmore dhe mburoja tunxhi, nuk kemi gjetur asnjë çallatë në tehun e saj. Ajo as nuk thyhet dhe as nuk topitet në përleshje. Ajo do ta priste djallin vetë, nga maja e kokës deri te shputa e këmbëve pa shfaqur asnjë lloj shenjë prishjeje.
Sot, ajo është përsëri po ajo Fjalë e fuqishme e Perëndisë që ishte në duart e Zotit Jezus. Sa na forcon kur kujtojmë shpirtrat e shumtë që kemi arritur të fitojmë përmes shpatës së Frymës! A keni mësuar apo dëgjuar për diçka të tillë si kthimi në besim i jetësuar nga ndonjë doktrinë tjetër përveç asaj që gjendet në Fjalën? Do të doja të kisha një katalog kthimesh në besim të jetësuar nga teologjia moderne. Do të paguaja për një kopje të një vepre të tillë. Nuk po them se çfarë mund të bëja me të pasi ta kem lexuar, por të paktën do t’i kisha rritur shitjet me një kopje më tepër, thjesht për të parë se çfarë pretendon se ka bërë teologjia progresiste. Kthime në besim përmes doktrinave të shlyerjes universale! Kthime në besim përmes doktrinave të një frymëzimi të dyshimtë! Kthime në dashurinë e Perëndisë, dhe në besim te Krishti i Tij, duke dëgjuar se vdekja e Shpëtimtarit ishte vetëm kulmimi i një shembulli të madh, por jo një flijim zëvendësues! Kthime në besim me anë të një ungjilli nga i cili është shteruar i gjithë ungjilli!
Ata thonë, “mrekullitë nuk do të reshtin kurrë”, por mrekulli të tilla nuk fillojnë kurrë. Le të raportojnë të tilla ndryshime zemre, dhe të na japin një rast për t’i provuar; dhe atëherë, mbase, mund të marrim në konsideratë nëse ia vlen apo jo që ta lëmë atë fjalë që e kemi provuar në qindra raste dhe disa prej nesh, në mijëra, duke rezultuar gjithnjë e efektshme për shpëtim. E dimë pse ata i përqeshin kthimet në besim. Këto janë vile rrushi që dhelpra të tilla nuk mund t’i arrijnë dot, dhe prandaj i quajnë rrush i pabërë. Për aq kohë sa besojmë në rilindjen, dhe presim ta shohim atë në mijëra raste, ne do t’i përkushtohemi asaj Fjale të së vërtetës me anë të së Cilës Fryma e Shenjtë jetëson ripërtëritjen. Me një fjalë, në betejën tonë ne do të vazhdojmë me armën e vjetër, me shpatën e Frymës, deri sa të gjejmë një më të mirë. “Asnjë nuk ia kalon asaj; nëma!”, është verdikti ynë në kohën e tanishme.
Sa shpesh e kemi parë Fjalën se si ka qenë e efektshme për ngushëllim! Siç e ka shprehur një vëlla në lutje, është gjë e vështirë të merresh me zemrat e thyera. Sa i marrë më është dukur vetja kur jam përpjekur të nxjerr një të burgosur nga Kalaja e Dëshpërimit Gjigand! Sa e vështirë është që të bindësh dëshpërimin të shpresojë! Sa jam përpjekur që t’ia dal me çdo marifet që njoh në lojën me gracka, por kur thuajse e kam pasur në dorë, krijesa ka ikur në një strofull tjetër! Kam gërmuar dhe e kam nxjerrë nga njëzet strofulla tashmë, por pastaj më është dashur të filloj nga e para.
Mëkatari i bindur për mëkat përdor gjithë llojet e argumenteve për të provuar se nuk mund të shpëtohet. Shpikjet e dëshpërimit janë po aq të shumta sa edhe mjetet e vetësigurisë. Nuk ka dritë që hyn në qelinë e errët të dyshimit, përveçse përmes dritares së Fjalës së Perëndisë. Brenda Shkrimit ekziston një balsam për çdo plagë, një ilaç për çdo dhimbje. Oh, ç‘fuqi të mrekullueshme ka Shkrimi që krijon një frymë shprese brenda brinjëve të dëshpërimit dhe që sjell dritë të përjetshme në errësirën që ka sjellë një mesnatë të gjatë në thellësinë e shpirtit! Shpesh e kemi provuar Fjalën e Zotit si “kupën e ngushëllimit” dhe asnjëherë nuk ka dështuar për ta gëzuar të mjerin. Ne e dimë çfarë themi, sepse jemi dëshmitarë të këtyre fakteve të bekuara: Shkrimet e së vërtetës, të zbatuara nga Fryma e Shenjtë, kanë sjellë paqe dhe gëzim për ata që janë ulur në errësirë dhe në hijen e vdekjes.
Kemi vënë re gjithashtu epërsinë e Fjalës në ndërtimin e besimtarëve dhe në prodhimin e drejtësisë, shenjtërisë, dhe dobishmërisë. Po na flitet gjithnjë, në këto ditë, për anën “etike” të ungjillit. Më vjen keq për ata për të cilët kjo gjë është diçka e re. A nuk e kanë zbuluar vallë këtë gjë më parë? Ne kemi qenë gjithnjë duke u marrë me anën etike të ungjillit; në fakt, ai na duket etik i tëri. Nuk ka asnjë doktrinë të vërtetë që të mos ketë qenë e frytshme me vepra të mira. Pejsoni ka thënë me urtësi, “Nëse ka një fakt, një doktrinë, apo premtim në Bibël, që nuk ka pasur asnjë ndikim praktik tek temperamenti apo sjellja juaj, të jeni të sigurt se nuk e besoni atë me të vërtetë.” Gjithë mësimi biblik ka qëllimet e tij praktike dhe rezultatet e tij praktike dhe ajo që kemi për të thënë, jo si një zbulim, por thjesht nisur nga gjykimi i shëndoshë, është kjo, që nëse pema ka sjellë fryte më të pakta se sa do të kishim dashur, priremi të mendojmë se nuk do të prodhojë fryte fare mbasi është shkulur dhe rrënjët e saj janë nxjerrë jashtë.
Vetë rrënja e shenjtërisë gjendet në ungjillin e Zotit tonë Jezu Krisht; dhe nëse kjo hiqet me qëllimin për të pasur më tepër fryte, atëherë kemi kryer marrëzinë më të madhe. Ne kemi parë një moral të pastër, një integritet të qëndrueshëm, një pastërti të ndjeshme, dhe, për më tepër, një shenjtëri të devotshme, të prodhuar nga doktrinat e hirit. Ne shohim shenjtërim në jetë, shohim nënshtrim të qetë në orën e vuajtjes, shohim siguri të gëzueshme në pragun e vdekjes, dhe këto, jo në pak raste, por në përgjithësi si rezultati i besimit inteligjent në mësimet e Shkrimit. Ne jemi habitur madje me rezultatin e shenjtë të ungjillit të vjetër. Megjithëse jemi mësuar ta shohim shpesh, vazhdojmë ta admirojmë hijeshinë e tij. Kemi parë njerëz të varfër, burra e gra, që i janë dorëzuar Krishtit dhe kanë jetuar për Të në një mënyrë që i ka bërë zemrat tona të përkulen me adhurim për Perëndinë e hirit. Kemi thënë, “Ky ungjill që prodhon jetë të tilla me siguri që duhet të jetë një ungjill i vërtetë.” Nëse nuk kemi folur shumë për etikën siç kanë bërë disa, ne kujtojmë një thënie të vjetër popullore: “Fjalështruari, punëmbaruari.” Aty ku ka shumë fjalë, ka pak punë. Fjalët e shumta janë fukarallëk. Disa kanë predikuar veprat e mira deri sa vështirë të ketë mbetur ndonjë person i ndershëm në famulli; ndërsa të tjerët kanë predikuar hirin falas dhe dashurinë deri në vdekje të Krishtit në një mënyrë të tillë që mëkatarët janë bërë shenjtorë, dhe shenjtorët janë bërë si degë të mbushura me fryte për përlëvdimin dhe lavdinë e Perëndisë. Pasi kemi parë të korrën që ka ardhur nga fara jonë, nuk kemi për ta ndryshuar sipas diktatit të kësaj epoke të paqëndrueshme.
Në veçanti kemi parë dhe kemi provuar efikasitetin e Fjalës së Perëndisë kur kemi qenë të sëmurë në shtrat. Vetëm disa ditë më parë, isha pranë njërit prej pleqve tanë, i cili dukej se po i afrohej vdekjes dhe të bisedoje me të, ishte sikur parajsa kishte zbritur poshtë. Edhe në një dasmë nuk kisha parë aq gëzim siç pashë në atë dhomë të qetë. Ai shpresonte të ishte së shpejti me Jezusin dhe gëzohej nga kjo perspektivë. Ai tha, “Nuk kam asnjë dyshim, asnjë re, asnjë shqetësim, asnjë nevojë; jo, madje nuk kam as edhe një dëshirë të fundit. Doktrina që keni mësuar më ka shërbyer për të jetuar dhe tani ajo më shërben për të vdekur. Po mbështetem te gjaku i çmuar i Krishtit dhe ky është një themel i fortë.” Dhe shtoi, “Sa marrëzi më duken tani gjithë ato letra kundër ungjillit! I kam lexuar disa prej tyre dhe kam vënë re sulmet ndaj besimit të vjetër, por ato më duken krejt absurde tani që gjendem në prag të përjetësisë. Çfarë mund të bëjë për mua tani doktrina e re?” U ktheva nga kjo bisedë tepër i forcuar dhe i gëzuar nga dëshmia e atij njeriu të mirë dhe për më tepër u ngushëllova personalisht, sepse ishte Fjala që unë vetë e kisha predikuar vazhdimisht, ajo që kishte qenë bekim për mikun tim. Nëse Perëndia e kishte miratuar edhe pse e shpallur nga një instrument kaq i dobët, ndjeva se vetë Fjala duhet të jetë vërtet e mirë. Nuk jam kurrë aq i lumtur edhe mes britmave të haresë rinore sa në ditën kur dëgjoj dëshminë e fundit para vdekjes së dikujt që po mbështetet te ungjilli i përjetshëm i hirit të Perëndisë. Momenti përfundimtar, i parë nga shtrati i vdekjes, është një test i vërtetë, ashtu siç është edhe një test i pashmangshëm. Predikoni atë që do t’i mundësojë njerëzit që të përballen me vdekjen pa frikë, dhe atëherë nuk do të predikoni asgjë tjetër veç ungjillit të vjetër.
Vëllezër, ne do të pajisemi me atë që Perëndia na ka dhënë në armaturën e Shkrimit të frymëzuar, sepse çdo armë e saj është provuar dhe sprovuar në shumë mënyra; dhe asnjë pjesë e takëmeve tona luftarake nuk ka dështuar ndonjëherë.
Për më tepër, ne do të mbahemi përgjithnjë te Fjala e Perëndisë, sepse e kemi përjetuar fuqinë e saj brenda nesh. Nuk ka ndodhur shumë kohë më parë aq sa ta keni harruar se si Fjala e Perëndisë, si një çekiç e theu zemrën tuaj të ngurtë si strall dhe e rrëzoi poshtë vullnetin tuaj kokëfortë. Me anë të Fjalës së Zotit u sollët te kryqi dhe u ngushëlluat me anë të shlyerjes. Ajo Fjalë fryu një frymë jete të re brenda jush dhe kur për herë të parë, e dinit se ishit një fëmijë i Perëndisë, ndjetë fuqinë fisnikëruese të ungjillit të marrë me anë të besimit. Fryma e Shenjtë jetësoi shpëtimin tuaj përmes Shkrimeve të Shenjta. Jam i sigurt se ju e gjeni zanafillën e kthimit tuaj në besim tek Fjala e Zotit, sepse vetëm Fjala është “e përsosur, dhe e përtërin shpirtin.” Kushdo të ketë qenë njeriu që e ka shprehur me fjalë ose cilido libri ku e keni lexuar, nuk ishte Fjala e njeriut dhe as mendimi i njeriut rreth Fjalës së Perëndisë, por vetë Fjala, që ju bëri të njihni shpëtimin në Zotin Jezus. Nuk ishte as arsyetimi njerëzor, as forca e elokuencës, as fuqia e bindjes morale, por plotfuqishmëria e Frymës, që zbatoi vetë Fjalën, që ju dha prehje, paqe dhe gëzim përmes besimit. Ne vetë jemi trofe të fuqisë së shpatës së Frymës; Ai na udhëheq në triumf në çdo vend, si robër të vullnetshëm të hirit të Tij. Askush të mos çuditet që mbahemi fort pas Tij.
Sa shpesh që nga kthimi juaj në besim, Shkrimi i Shenjtë ka qenë gjithçka për ju? Ju keni pasur momente zalisje, ma do mendja: a nuk jeni rimëkëmbur nga ilaçi i çmuar i premtimit të Atij që është besnik? Një fragment i Shkrimit i vendosur në zemrën tuaj, e ka gjallëruar me shpejtësi zemrën e dobët që të veprojë fuqishëm. Njerëzit flasin për ujëra që freskojnë mendjen dhe për pije tonike që stimulojnë trupin, por Fjala e Perëndisë ka qenë më tepër sesa kaq për ne, në raste të panumërta. Mes tundimeve të mprehta dhe të forta dhe sprovash të ashpra dhe të hidhura, Fjala e Zotit na ka ruajtur. Mes shkurajimesh që brengosën shpresat tona dhe zhgënjimesh që plagosën zemrën tonë, e kemi ndjerë veten të fortë për të vepruar dhe duruar, sepse siguria e ndihmës që gjejmë në Biblat tona na ka sjellë energji të fshehtë dhe të pamposhtur.
Vëllezër, ne kemi përjetuar lartësimin që Fjala e Perëndisë mund të na japë — lartësim drejt Perëndisë dhe qiellit. Nëse filloni të studioni libra që janë në kundërshtim me volumin e frymëzuar, a nuk jeni të vetëdijshëm se po rrëshqisni poshtë? Kam njohur disa njerëz për të cilët një lexim i tillë ka qenë si një avull helmues që i ka rrethuar me lagështirën e vdekjes. Po, dhe do të shtoja, se të lësh mënjanë leximin e Biblës për të lexuar qoftë edhe libra të mirë, do të sillte shumë shpejt një rënie të vetëdijshme të shpirtit.
A nuk e ke vënë re se edhe librat e hirshëm mund të jenë për ty si një rrafshinë që e sheh aty poshtë, dhe jo si një majë mali drejt së cilës aspiron? Ti ke arritur në nivelin e tyre shumë kohë më parë, dhe nuk ngjitesh më lart ndërsa i lexon: është e kotë të harxhosh kohën e çmuar me këto libra. A ka ndodhur ndonjëherë kështu me ty dhe Librin e Perëndisë? A je ngritur ndonjëherë mbi mësimin e Tij të thjeshtë, dhe je ndier sikur kishte prirjen të të tërhiqte poshtë? Kurrë! Në përpjesëtim me njomjen e mendjes tënde me Shkrimin e Shenjtë, bëhesh i vetëdijshëm se po ngrihesh lart dhe sikur po fluturon si me krahë shqiponje. Rrallë zbret nga një lexim vetëm për vetëm i Biblës pa ndjerë se je tërhequr më pranë Perëndisë: po them lexim vetëm për vetëm, sepse kur lexohet bashkë me të tjerët, ekziston rreziku se komentet bajate mund të bëhen si miza në poçin e vajosjes.
Studimi me lutje i Fjalës është jo vetëm një mjet për të mësuar, por edhe një akt devocioni përmes të cilit fuqia transformuese e hirit vepron shpesh, duke na ndryshuar sipas imazhit të Atij që Fjala pasqyron. Fundja, a ka ndonjë gjë tjetër si Fjala e Perëndisë kur librat e hapur gjejnë zemra të hapura? Kur lexoj për jetën e njerëzve të tillë si Bakstëri, Brainerdi, MakÇejni dhe shumë të tjerë, pse më duket sikur jam larë në një burim të freskët pasi kam bërë një udhëtim në një vend të errët, nga jam kthyer gjithë pluhur dhe i brengosur; dhe ky rezultat vjen nga fakti se njerëz të tillë e kanë mishëruar Shkrimin me jetën e tyre dhe e kanë ilustruar me eksperiencën e tyre.
Larja me anë të Fjalës është ajo çfarë ata kanë bërë dhe çfarë na nevojitet. Ne duhet ta marrim atë, atje ku ata e kanë gjetur. Të shohësh efektet e së vërtetës së Perëndisë në jetën e njerëzve të shenjtë vërteton besimin dhe stimulon aspirata të shenjta.
Influenca të tjera nuk na ndihmojnë për një ideal të tillë sublim të shenjtërimit. Nëse lexon librat babilonas të kohës së sotme, do të kapësh frymën e tyre, një frymë e huaj, gjë që do të të largojë nga Zoti, Perëndia yt. Po ashtu mund të dëmtohesh shumë nga teologë që shtiren se flasin me dialektin e Jeruzalemit, por gjysma e të folurës së tyre është nga Ashdodi: këta njerëz do të të pështjellojnë mendjen dhe do të ndotin besimin tënd. Mund të rastisë që një libër që është në tërësi i shkëlqyer, mirëpo që përmban veç një njollë të vogël, mund të të bëjë më tepër dëm sesa një libër krejtësisht pa vlerë.
Kujdes, sepse veprat e këtij lloji dalin nga shtypi si re karkalecash. Rrallë mund të gjeni në këto ditë një libër që është krejt i çliruar nga majaja moderne dhe mjafton pak tharm që të fermentohet deri sa prodhon gabimin më të madh. Duke lexuar librat e rendit të ri, megjithëse nuk mund të dallohet në pamje të parë ndonjë falsitet, je i vetëdijshëm se përmbajnë një lloj përzierje dhe ndjen një ulje të tonit të shpirtit tënd; prandaj jini vigjilentë. Por me Biblën tënde mund të ndihesh gjithnjë i qetë; atje çdo frymë nga çdo anë sjell jetë dhe shëndet. Nëse qëndron afër librit të frymëzuar, nuk mund të pësosh asnjë dëm; përkundrazi gjendesh në kreun e burimit të gjithë mirësisë morale dhe shpirtërore. Ky është ushqim i denjë për njerëzit e Perëndisë: kjo është buka që ushqen jetën më të mirë.
Pasi e kam predikuar ungjillin për dyzet vjet, dhe pasi i kam shtypur predikimet e mia për më tepër se tridhjetë e gjashtë vjet, që me një ritëm javor kanë arritur deri tani numrin 2200, kam mjaft të drejtë të flas për plotësinë dhe pasurinë e Biblës, si libër i predikuesit. Vëllezër, Bibla është e pashtershme. Nuk do të ngrihet asnjë dyshim për freskinë e fjalës sonë, nëse qëndrojmë pranë tekstit të volumit të shenjtë. Nuk mund të ketë vështirësi për sa i përket gjetjes së temave tërësisht të ndryshme nga ato që kemi trajtuar më parë; larmia është po aq e pafund sa plotësia. Një jetë e gjatë do të mjaftonte vetëm për t’i rënë përreth brigjeve të këtij kontinenti të madh të dritës. Gjatë dyzet viteve të shërbesës sime vetëm sa kam prekur cepin e rrobës së të vërtetës hyjnore, por çfarë virtyti ka rrjedhur prej saj!
Fjala është si Autori i Saj, e pafund, e pamatshme. Po të caktoheshit për të qenë predikues gjatë gjithë përjetësisë, ju do të kishit përpara një temë që do t’i përgjigjej kërkesave të përjetshme. Vëllezër, a do të kemi secili nga ne një podium diku mes planetëve? A do të kemi një bashkësi prej miliona yjësish? A do të kemi zë aq të fortë sa për të arritur yjësitë që na dëgjojnë? A do të jemi dëshmitarë për Zotin e hirit tek botët e panumërta që do të mbesin të habitura kur të dëgjojnë për Perëndinë e mishëruar? A do të rrethohemi nga inteligjenca të pastra që bëjnë pyetje dhe hulumtojnë misterin e Perëndisë të shfaqur në mish? A do të kenë dëshirë botët që nuk kanë mëkatuar të udhëzohen sipas ungjillit të lavdishëm të Perëndisë së bekuar? Dhe a do të ketë secili prej nesh historinë e tij për të treguar mbi eksperiencën e dashurisë së pafund? Mendoj se po, meqë Zoti na ka shpëtuar “që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme t’u manifestohej principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë.” Nëse është kështu, Biblat tona do të mjaftojnë për epokat që do të vijnë për tema të reja çdo mëngjes, dhe për këngë dhe predikime të reja në një botë pa fund.
Prandaj ne jemi të vendosur, ngaqë kemi këtë arsenal që Zoti na e ka dhënë, dhe meqë nuk duam tjetër, të përdorim vetëm Fjalën e Perëndisë, dhe ta përdorim atë me energji më të madhe. Ne jemi të vendosur- dhe shpresoj se nuk ka mosmarrëveshje mes nesh – që ta njohim Biblën më mirë. A e njohim volumin e shenjtë sa gjysma e asaj që duhet ta njohim? A jemi munduar për të pasur një njohuri aq të plotë të Fjalës së Perëndisë sa edhe shumë kritikë kanë fituar për librin e tyre klasik të preferuar? A ndodh që ndeshim akoma fragmente të Shkrimit që janë të reja për ne? A duhet të jetë kështu? A ka ndonjë pjesë të asaj që Zoti e ka shkruar, dhe që ju nuk e keni lexuar kurrë?
Më bëri shumë përshtypje vëzhgimi i vëllait Arçibald Braun, që mendonte për veten e tij se nëse nuk e lexonte Shkrimin nga fillimi deri në fund, mund të kishte aty mësime të frymëzuara që nuk i kishte ditur kurrë më parë dhe prandaj vendosi që t’i lexojë librat sipas radhës; dhe pasi e bëri këtë një herë, e bëri më pas zakon. A e ka harruar ndonjëri prej nesh që ta bëjë këtë gjë? Le të fillojmë menjëherë. Më pëlqen të shoh se sa shpejt disa nga vëllezërit tanë gjejnë vargun e duhur dhe pastaj citojnë një tjetër të ngjashëm, dhe e kurorëzojnë me një të tretë. Ata duket se e dinë me saktësi se cili varg i bie gozhdës në kokë. Ata e kanë Biblën jo vetëm në zemër, por edhe në majë të gishtave. Kjo është një arritje shumë e çmuar për një pastor. Një njeri që e njeh tekstin mirë është një teolog i mirë.
Disa të tjerë, të cilët i vlerësoj për gjëra të tjera, janë akoma të dobët në këtë pikë, dhe rrallë citojnë një tekst të Shkrimit me saktësi: në fakt, modifikimet e tyre vrasin veshin e lexuesit të Biblës. Është fatkeqësisht e zakonshme mes pastorëve që të shtojnë apo të heqin ndonjë fjalë nga fragmenti biblik ose në një mënyrë a një tjetër të zbehin gjuhën e Shkrimit të shenjtë. Sa shpesh kam dëgjuar vëllezër që flasin për përforcimin e “thirrjes dhe shpëtimit”! Mbase ata nuk e kanë shijuar aq sa ne fjalën kalviniste “zgjedhje”, dhe prandaj e kanë zbutur këtë kuptim; madje në disa raste e kundërshtojnë.
Nderimi ynë për Autorin e madh të Shkrimit duhet të ndalojë çdo copëtim të fjalëve të Tij. Asnjë modifikim i Shkrimit nuk mund të jetë kurrsesi një përmirësim. Besimtarët në frymëzimin fjalë për fjalë duhet të jenë tejet të kujdesshëm që të jenë të saktë në fjalët që thonë. Zotërinjtë që shohin gabime në Shkrim mund të mendojnë se janë kompetentë për të rregulluar gjuhën e Zotit të ushtrive, por ne që besojmë Perëndinë, dhe i pranojmë fjalët ashtu si Ai i përdor, nuk do ta bënim një përpjekje të tillë aq arrogante. Le t’i citojmë fjalët ashtu siç janë në përkthimin më të mirë të mundshëm, dhe do të jetë akoma më mirë nëse e njohim gjuhën origjinale, për të dalluar nëse versioni ynë ka arritur apo jo të japë kuptimin e duhur. Sa dëm mund të shkaktohet nga një modifikim i rastësishëm i Fjalës! Lum ata që janë në përputhje me mësimin hyjnor, dhe që marrin domethënien e vërtetë të tij, ashtu siç i mëson Fryma e Shenjtë! Oh, sikur të mund ta njohim Frymën e Shkrimit të Shenjtë tërësisht, duke pirë nga aty deri në ngopje. Ky është bekimi që ne jemi të vendosur ta përvetësojmë.
Me anë të hirit të Perëndisë synojmë që ta besojmë fjalën e Perëndisë më fort. Ka besim e besim. Ju besoni në gjithë vëllezërit e mbledhur këtu, por në disa prej tyre keni një mirëbesim konkret të ndërgjegjshëm, meqë mes telasheve ata ju kanë ardhur në ndihmë dhe e kanë provuar se janë vëllezër në kohë të vështira. Ju keni besim tek ata, me siguri absolute, sepse i keni provuar personalisht. Besimi juaj ishte besim më përpara, por tani është një siguri më e lartë, më e fortë dhe më e madhe. Besoni në volumin e frymëzuar nga maja e shpatës deri në dorezën e saj. Besojeni atë gjithnjë, besojeni atë plotësisht, besojeni atë me gjithë forcën e qenies suaj. I lini të vërtetat e Shkrimit të bëhen influencat kryesore në jetën tuaj, forcat motivuese kryesore në veprimet tuaja. Çështjet e mëdha të historisë së ungjillit të jenë aq fakte reale dhe praktike për ju, sa çdo fakt që ndeshni në rrethin familjar ose në botën e jashtme: le të jenë për ju po aq gjallërisht të vërteta sa edhe vetë trupi juaj, me dhimbjet dhe vuajtjet e tij, me orekset dhe gëzimet e tij. Nëse mund të dalim nga sfera e trillimit dhe fantazisë, dhe të futemi në botën e faktit, atëherë kemi hapur një minierë që do të na sigurojë një thesar të pafund force. Kështu, të bërit “i fuqishëm në Shkrime” do të thotë të bëhemi “të fuqishëm përmes Perëndisë.”
Duhet të jemi të vendosur gjithashtu që të citojmë më tepër nga Shkrimet e Shenjta. Predikimet duhet të jenë plot me Biblën; të ëmbëlsuar, të përforcuar, të shenjtëruar me esencën e Biblës. Lloji i predikimeve që njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë janë shtjellimet e Shkrimit. Nëse ata nuk duan t’i dëgjojnë, atëherë ka akoma më shumë arsye pse u duhen predikuar. Ungjilli ka aftësinë e posaçme për të krijuar shijen për veten e vet. Dëgjuesit e Biblës, kur dëgjojnë me të vërtetë, bëhen dashurues të Biblës. Radhitja e thjeshtë e teksteve së bashku është një mënyrë e dobët për të bërë predikime; megjithëse disa e kanë provuar këtë gjë dhe nuk e vë në dyshim se Perëndia i ka bekuar, sepse ata kanë bërë më të mirën e tyre. Është më mirë të radhisësh disa tekste bashkë, sesa të shprehësh mendime të varfra dhe të shpëlara. Do të ketë të paktën diçka për t’u menduar dhe mbajtur mend nëse citohet Shkrimi i Shenjtë; ndërsa në rastin tjetër mund të mos ketë asgjë të vlefshme. Megjithatë, nuk është e domosdoshme që tekstet e Shkrimit të radhiten bashkë, por mund të paraqiten për t’i dhënë mprehtësi dhe argumente bindëse një ligjërate. Ato do të jenë forca e predikimit. Fjalët tona janë thjesht topa letre në krahasim me gjuajtjet e pushkës së Fjalës. Shkrimi është konkluzioni i gjithë çështjes. Nuk ka më debate pasi gjejmë “Është shkruar.” Në një masë të madhe në zemrat dhe ndërgjegjet e dëgjuesve tanë, debati përfundon kur Zoti ka folur. “Kështu thotë Zoti” është fundi i diskutimit për të krishterët dhe madje as të paperëndishmit nuk mund t’i rezistojnë Shkrimit pa i rezistuar Frymës që e shkroi. Që të flasim në mënyrë bindëse duhet të flasim në mënyrë biblike. Jemi të vendosur gjithashtu që të mos predikojmë asgjë tjetër veç Fjalës së Perëndisë. Largimi në masë i njerëzve nga dëgjimi i ungjillit vjen kryesisht për shkak të faktit të trishtë se nëse shkojnë në vende adhurimi nuk është gjithnjë ungjilli që ata dëgjojnë; dhe gjithçka tjetër nuk i plotëson nevojat që ka shpirti i tyre.
A keni dëgjuar për një mbret i cili bëri një sërë festash të mëdha, dhe ftoi shumë veta, javë pas jave? Ai kishte një numër shërbëtorësh të cilët ishin caktuar për të shërbyer në tryeza; këta shkonin në ditët e përcaktuara dhe flisnin me njerëzit. Por, ndodhi që pas ca kohësh pjesa më e madhe e njerëzve nuk po vinin. Ata që vinin ishin gjithnjë e më të paktë, por pjesa më e madhe e qytetarëve i ktheu kurrizin banketeve. Mbreti u interesua dhe zbuloi se ushqimi që ofrohej nuk dukej se i kënaqte njerëzit që vinin për të parë banketet, prandaj dhe ata nuk vinin më. Ai vendosi që të ekzaminonte vetë tryezat dhe ushqimet e vendosura atje. Ai pa shumë zbukurime dhe ushqime që nuk kishin dalë nga depot e tij. Ai e pa ushqimin dhe tha, “Por si ka mundësi? Këto pjata, nga erdhën këtu? Këto nuk janë nga furnizimet e mia. Viçat dhe shqerrat e mia të majme janë therur, por këtu nuk shoh mishin e kafshëve të mirë ushqyera, por mish nga gjedhë kockë e lëkurë dhe të keq ushqyer. Kocka ka, por ku është palca dhe dhjami? Buka gjithashtu është bajate dhe jocilësore, ndërsa imja ishte e bërë prej miellit më të mirë? Vera është e përzier me ujë dhe uji nuk është nga një burim i pastër.” Njëri prej atyre që qëndronte pranë iu përgjigj dhe tha, “O mbret, menduam se njerëzit do të veleshin me palcë dhe dhjamë, prandaj u dhamë të provojnë kocka dhe kërce. Menduam gjithashtu se ata do të lodheshin me bukën e bardhë më të përzgjedhur, prandaj poqëm disa bukë në shtëpitë tona pa i ndarë nga krundet dhe byku i drithit. Njerëzit e shkolluar janë të mendimit se ushqimi ynë është më i përshtatshëm për këto kohëra sesa ai që hirësia juaj kishit porositur shumë kohë më parë. Sa për verën në depozitë, ajo nuk i përshtatet shijes së njerëzve të kësaj kohe që jetojmë dhe uji i pastër si kristal është tejet i lehtë për njerëz që janë mësuar të pinë nga lumi i Egjiptit, që ka shijen e baltës të Maleve të Hënës.” Atëherë mbreti e kuptoi përse njerëzit nuk kishin ardhur në festë. A është kjo e njëjta arsye se pse vajtja në shtëpinë e Perëndisë është bërë kaq e papëlqyeshme për shumë njerëz? Besoj se po. A kanë qenë shërbëtorët e Zotit duke copëtuar mbeturinat e tyre, me copat e tyre të prishura kanë bërë një çorbë për miliona njerëz dhe si rezultat me miliona njerëz janë larguar? Dëgjoni pjesën e mbetur të shëmbëlltyrës sime. “Pastroni tryezat!” thërriti mbreti me indinjatë: “Ua hidhni këto plehra qenve. Sillni mishin e viçit më të përzgjedhur: shtroni ushqimin tim mbretëror. I hiqni këto xhingla nga salla, atë bukë të papastër nga tryeza dhe hidheni ujin me baltë.” Ata vepruan sipas fjalëve të mbretit dhe nëse shëmbëlltyra ime është e saktë, shumë shpejt u përhap fjala nëpër rrugë se ushqime të përzgjedhura vërtet mbretërore ishin shtruar në festë, pallati mbretëror u mbush plot e përplot dhe emri i mbretit u bë tepër i madh në të gjithë vendin. Le të ndjekim edhe ne të njëjtën gjë. Mbase, shumë shpejt do të gëzohemi duke parë banketin e Mjeshtrit plot me miq.
Jemi të vendosur atëherë që ta përdorim më shumë se kurrë ndonjëherë atë që Perëndia ka siguruar për ne në këtë Libër, sepse ne jemi të sigurt për frymëzimin e Tij. Me lejoni ta them këtë përsëri. NE JEMI TË SIGURT PËR FRYMËZIMIN E TIJ. Ju do të vini re se sulmet që bëhen, bëhen shpesh si sulme kundër frymëzimit fjalë për fjalë. Forma e zgjedhur është thjesht një pretekst. Sulmi ndaj frymëzimit fjalë për fjalë është forma e shprehur e sulmit, por sulmi synon në të vërtet vetë frymëzimin. Nuk do të zgjatesh shumë në ese para se të zbulosh se zotëria që filloi me vënien në pikëpyetje të një teorie të frymëzimit që askush nga ne nuk e ka mbështetur ndonjë herë, e përfundon duke i shpallur luftë vetë frymëzimit. Ky është pikërisht thelbi. Ne nuk pyesim për çfarëdo lloj teorie frymëzimi: në fakt, ne nuk kemi asnjë. Për ne frymëzimi i plotë fjalë për fjalë i Shkrimit të Shenjtë është fakt, jo hipotezë. Është fatkeqësi të bësh teori mbi një temë që është thellësisht misterioze dhe që bën thirrje për besim se sa për imagjinatë. Beso në frymëzimin e Shkrimit dhe besoje në mënyrën më intensive të mundshme. Nuk ke për të besuar ndonjëherë në një frymëzim më të vërtetë dhe më të plotë se ky. Askush nuk mundet të gabojë në këtë drejtim, edhe nëse gabimi është i mundur. Nëse adopton teori që heqin një pjesë këtu dhe mohojnë autoritetin e një fragmenti tjetër atje, në fund fare nuk do të mbesë më frymëzim, i denjë për këtë emër.
Nëse ky libër nuk është i pagabueshëm, ku do ta gjejmë këtë pagabueshmëri? Kemi hequr dorë nga Papa, sepse ai ka bërë shpesh gabime dhe të rënda madje, por nuk do të vendosim në vend të tij një tufë me papallarë që sapo kanë dalë nga shkolla. A janë vallë të pagabueshëm këta korrigjues të Shkrimit? A është e sigurt se Biblat tona nuk qenkan të sakta, ndërsa këta kritikë janë të saktë medoemos? Argjendi i vjetër u dashka zhvlerësuar, por argjendi gjerman, që e vendosin në vend të tij, u dashka vlerësuar si flori. Djelmosha që sapo kanë lexuar romanin e fundit korrigjojnë nocionet e baballarëve të tyre, të cilët ishin njerëz me peshë dhe karakter. Doktrinat që prodhuan brezat më të perëndishëm që kanë jetuar ndonjëherë mbi faqen e dheut refuzohen me përçmim si krejt marrëzi. Asgjë nuk është kaq e neveritshme për këto krijesa sa ajo që mban erë puritanizmi. Çdo hundë e njeriut të zakonshëm ngrihet lart drejt qiellit sapo dëgjon tingullin e fjalës “puritan”; megjithëse nëse puritanët do të ishin këtu përsëri, askush nuk do të guxonte që t’i trajtonte me kaq përçmim, sepse atëherë kur puritanët luftuan, ata shumë shpejt u bënë të njohur si njerëz të hekurt dhe udhëheqësi i tyre zor se mund të quhej i marrë, as nga ata që e cilësonin atë si “tiran.”
Kromuelli dhe ata që ishin bashkë me të, a ishin vallë njerëz me mendje të dobët? E çuditshme që këta ngrihen në qiell nga po ata njerëz që përçmojnë pasardhësit e tyre të vërtetë, besimtarë të të njëjtit besim. Por ku gjendet pagabueshmëria? “Thellësia thotë, nuk është tek unë”, megjithatë ata që nuk kanë thellësi fare duan të na bëjnë të mendojmë se gjendet brenda tyre ose përndryshe, me anë të ndryshimit të vazhdueshëm ata shpresojnë që ta ndeshin rastësisht. A duhet të besojmë tani se pagabueshmëria është me njerëzit e shkolluar?
Tani, Fermer Smith, mbasi të kesh lexuar Biblën dhe ke shijuar premtimet e saj të çmuara, nesër në mëngjes, duhet të dalësh nga shtëpia për të pyetur shkollarin e famullisë nëse kjo pjesë e Shkrimit i përket pjesës së frymëzuar të Fjalës, apo nëse ka autoritet të dyshimtë. Është mirë, për ty ta dish nëse u shkrua nga Isaia, ose nga i dyti i “dy Abdive”. Gjithë autoriteti i sigurisë transferohet nga njeriu shpirtëror te një klasë personash që janë të shkolluar, por që nuk janë shpirtërorë. Gradualisht ne do të kritikohemi dhe do të vihemi në dyshim kaq shumë sa vetëm disa nga më të mençurit do të dinë se çfarë është e çfarë nuk është Bibël dhe ata do të na e diktojnë ne të tjerëve. Nuk kam më tepër besim në mëshirën e tyre sesa kam në saktësinë e tyre: ata do të na grabisin atë që e mbajmë si më të shtrenjtë dhe do të mburren për veprën mizore. Mirëpo ne nuk do ta lejojmë këtë sundim të terrorit, sepse ne besojmë akoma se Perëndia ia zbulon veten fëmijëve të vegjël, dhe jo të urtëve dhe të zgjuarve, dhe jemi plotësisht të sigurt se versioni ynë i përkthyer i Shkrimeve është i mjaftueshëm për njerëzit e thjeshtë për gjithë qëllimet e jetës, shpëtimit, dhe perëndishmërisë. Ne nuk e përçmojmë shkollimin, por ne nuk do të themi kurrë për kulturën apo kritikën. “O Izrael, kjo është perëndia jote.”
A e shihni përse njerëzit duan ta ulin masën e frymëzimit në Shkrimet e Shenjta dhe do të donin ta reduktonin atë në hiç gjë? Kjo vjen ngaqë sipas tyre e vërteta e Perëndisë duhet zëvendësuar. Nëse shkon në mbrëmje në një dyqan për të blerë artikuj që do të kontrolloheshin më mirë ditën për nga ngjyra dhe cilësia, nëse, pasi ke shkuar në dyqan, tregtari ul ndriçimin ose heq llambën dhe më pas fillon të të tregojë mallin e tij, ti nis e dyshon dhe arrin në konkluzionin se ai po përpiqet të ta hedhë me një mall më pak cilësor. Dyshoj fort se kjo është pikërisht ajo loja e vogël e zhvlerësuesve të frymëzimit. Sa herë që një njeri fillon të ulë poshtë pikëpamjen tënde për frymëzimin, kjo vjen ngaqë ai po luan një marifet, që nuk del dhe aq mirë me dritë. Ai mban një seancë me frymërat e këqija dhe prandaj thërret, “Le të shuhen dritat.”
Ne vëllezër, duam t’i atribuojmë Fjalës së Perëndisë gjithë frymëzimin që mund t’i atribuohet dhe themi me guxim se nëse predikimi ynë nuk është sipas kësaj Fjale, kjo vjen ngaqë nuk ka dritë në të. Ne jemi të gatshëm të provohemi dhe testohemi prej Saj në çdo mënyrë dhe i konsiderojmë si dëgjuesit më fisnikë ata që i shqyrtojnë çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra janë ashtu, por për ata që nënvlerësojnë frymëzimin ne nuk do t’i lëshojmë pe a dëgjojmë as për një orë të vetme.
A po dëgjoj dikë që po thotë: “Por megjithatë ti duhet t’i nënshtrohesh konkluzioneve të shkencës”? Askush nuk është më i gatshëm sesa ne për të pranuar faktet evidente të shkencës. Por çfarë nënkuptohet me fjalën shkencë? A është ajo që quhet “shkencë” e pagabueshme? A nuk është quajtur kështu shkenca pa të drejtë? Historia e asaj injorance njerëzore që e quan veten “filozofi” është tërësisht identike me historinë e budallenjve, përveçse në rastin kur devijon në marrëzi. Nëse një Erasmus tjetër do të ngrihej dhe të shkruante historinë e marrëzisë, ai duhej t’i kushtonte disa kapituj filozofisë dhe shkencës dhe ata kapituj do të ishin më domethënës sesa të tjerët.
Unë vetë nuk do të guxoja të thosha se filozofët dhe shkencëtarët janë në përgjithësi budallenj, por do t’u lija mundësinë të flisnin për njeri-tjetrin dhe në fund do të thosha, “Zotërinj, edhe unë vetë do të kisha qenë më shumë në një mendje me ju, sesa ju jeni me njëri tjetrin.” Do të lë të urtët e çdo brezi të flasin për brezin paraardhës ose në ditët e sotme çdo gjysmë e këtyre brezave mund të merret me gjysmën tjetër të brezave të mëparshëm, sepse ka pak teori në shkencën e sotme që do të mbijetojë në njëzet vitet e ardhshme ose që do të shohë ditën e parë të shekullit të njëzetë. Ne po udhëtojmë tani me një shpejtësi kaq të madhe saqë ngutemi me hipotezat shkencore aq sa ngutemi me njoftimet telegrafike ndërsa udhëtojmë me një tren ekspres. E gjitha ajo për të cilën jemi të sigurt sot është ky fakt, se ajo për të cilën të urtit ishin të sigurt disa vite më parë është hedhur tashmë në honin e gabimeve të harruara një herë e mirë. Unë besoj në shkencën, por jo në atë që quhet “shkencë.”
Asnjë fakt natyror që është provuar shkencërisht, nuk është kundër zbulesës. Spekulimet e bukura të ëndërrimtarëve, nuk mund t’i pajtojmë me Biblën dhe nuk do ta bënim edhe po të mundnim. Ndjehem si ai njeriu që tha, “Mund ta kuptoj deri në njëfarë mase se si këta njerëz të shquar e kanë gjetur peshën e yjeve dhe distancën e tyre nga njëri tjetri, madje edhe se si me spektroskop ata kanë zbuluar edhe nga se përbëhen, por”, tha ai, “nuk e përfytyroj dot se si i kanë zbuluar emrat e tyre.” Pikërisht kështu. Pjesa e fantazuar e shkencës, kaq e shtrenjtë për shumë njerëz, është ajo çfarë ne nuk e pranojmë. Kjo është pjesa e rëndësishme e shkencës për shumë njerëz – ajo pjesë që është thjesht një hamendje, për të cilët hamendësuesit luftojnë me mish e me shpirt. Mitologjia e shkencës është po aq e rreme sa edhe mitologjia e paganëve, mirëpo kjo gjë shndërrohet në një perëndi. E them sërish, përsa i takon fakteve, shkenca nuk është kurrë në konflikt me të vërtetat e Shkrimit të Shenjtë, por konkluzionet e nxituara të nxjerra nga ato fakte dhe trillimet e klasifikuara si fakte, janë në kundërshtim me Shkrimin dhe domosdo kështu është, sepse gënjeshtrat nuk përputhen me të vërtetën.
Dy lloj njerëzish kanë kryer dëme të mëdha dhe megjithatë asnjëri prej tyre nuk vlen të konsiderohet si gjykatës kompetent në këtë çështje: që të dy janë të pakualifikuar. Është e rëndësishme që një arbitër të njohë të dy anët e çështjes dhe asnjë prej këtyre nuk i njeh të dy anët. I pari është shkencëtari jobesimtar (çfarë di ai vallë rreth besimit çfarë mund të dijë vallë? Ai është jashtë teme kur bëhet pyetja – A përputhet shkenca me besimin? Është e qartë se ai që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje duhet t’i njohë të dyja çështjet në fjalë.
I dyti është njeriu më i mirë, por i zoti për më tepër dëm akoma. E kam fjalën për të krishterin joshkencor, i cili e vret mendjen për ta përputhur Biblën me shkencën. Ai më mirë ta lërë këtë gjë, se sa ta bëjë punën shkel e shko. Gabimi që këta njerëz kanë bërë është se kur janë përpjekur të zgjidhin një vështirësi, ata kanë shtrembëruar ose Biblën, ose Shkencën. Është kuptuar shpejt se zgjidhja e parashtruar ka qenë e gabuar dhe ja menjëherë është dëgjuar thirrja se Shkrimi është mposhtur. Aspak, aspak. Shkrimit vetëm sa i është hequr një koment i kotë.
Këtu kemi një vëlla të mirë që shkruan një libër të mrekullueshëm, për të provuar se gjashtë ditë të krijimit përfaqësojnë gjashtë periudha të mëdha gjeologjike; ai tregon se si shtresat gjeologjike dhe si rrjedhojë edhe organizmat vijnë njëra pas tjetrës pothuajse sipas rendit të historisë së krijimit që paraqitet te Zanafilla. Mund të jetë kështu ose mund të mos jetë kështu, por nëse ndokush pas disa kohëve tregon se shtresat nuk gjenden në këtë radhë, cila duhet të jetë përgjigjja ime? Më duhet të them se Bibla nuk e ka dhënë kurrë këtë mësim.
Bibla thotë, “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Kjo lë vend për çdo periudhë kohore në lidhje me epokat tuaja të zjarrit, periudhat e akullit dhe gjithë të tjerat, para vendosjes së epokës aktuale të njeriut. Më pas arrijmë te gjashtë ditët në të cilat Zoti bëri qiejt dhe tokën dhe pushoi ditën e shtatë. Nuk thuhet asgjë për epoka të gjata kohore, por, përkundrazi, “erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë” dhe “erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë” dhe kështu me radhë. Këtu nuk po parashtroj asnjë teori, por thjesht po them se nëse libri i mikut tonë del i pavërtetë, Bibla nuk është përgjegjëse për këtë. Është e vërtetë se teoria e tij duket se mbështetet nga paralelizmi që bëhet mes jetës organike të epokave dhe asaj të shtatë ditëve, por kjo mund të shpjegohet nga fakti se Perëndia zakonisht ndjek një radhë të caktuar kur punon qoftë në periudha të gjata ose të shkurtra. Nuk di dhe nuk më intereson shumë kjo çështje, por dua të them se, nëse rrëzon përtokë një shpjegim nuk duhet të përfytyrosh se ke dëmtuar kështu të vërtetën biblike që dukej sikur e kërkonte atë shpjegim: ti veç ke djegur rrethojën prej druri me të cilën njerëz me qëllime të mira menduan të mbronin një fortesë të pathyeshme që nuk kishte nevojë për këtë mbrojtje. Në përgjithësi, është më mirë kur lëmë një vështirësi atje ku është, sesa të ngremë një vështirësi tjetër me anë të teorisë sonë. Pse të bëjmë një vrimë të dytë në çajnik, për të rregulluar të parën? Sidomos kur vrima e parë nuk është atje fare dhe nuk ka nevojë për t’u rregulluar. Besoni çdo gjë që është e provuar shkencërisht: nuk do t’ju bëjë dëm Nuk keni pse të trembeni se besimi juaj do të mbingarkohet. Dhe pastaj besoni çdo gjë që është qartësisht në Fjalën e Perëndisë, pavarësisht nëse është e vërtetuar nga provë e jashtme apo jo. Asnjë provë nuk nevojitet kur flet Perëndia. Nëse Ai e ka thënë, kjo është provë e mjaftueshme.
Por neve na thuhet se duhet të heqim dorë nga një pjesë e teologjisë sonë të vjetruar për të shpëtuar pjesën tjetër. Ne jemi në një karrocë që udhëton nëpër stepat e Rusisë. Kuajt po vrapojnë me furi, por ujqërit na janë afruar! A nuk i shihni vallë sytë e tyre zjarr? Rreziku është shumë pranë. Çfarë duhet të bëjmë? Sugjerohet aty për aty që të hedhim një fëmijë ose dy. Ndërsa ata hanë foshnjën, kemi përparuar pak më tej, por nëse do të na arrinin sërish, çfarë do të bënim atëherë? Si kështu o trim, na hidh gruan tënde tani!
“Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij”; hiqni dorë thuajse nga çdo e vërtetë me shpresën që të shpëtoni veç një. Hidhni frymëzimin dhe i lini kritikët ta gllabërojnë. Hidhni zgjedhjen dhe gjithë kalvinizmin e vjetër; këtu do të bëhej një festë e madhe për ujqërit dhe zotërinjtë që na japin këshillën e urtë do të ngazëlloheshin duke parë doktrinat e hirit të shqyera gjymtyrë pas gjymtyre. Hidhni tej të vërtetën e zvetënimit tërësor, e ndëshkimit të përjetshëm dhe të efikasitetit të lutjes. Në këtë mënyrë e kemi lehtësuar goxha karrocën. Mirëpo tani duhet hedhur edhe diçka tjetër. Flijoni flijimin e madh! E pat edhe shlyerja! Vëllezër, kjo këshillë është e ligë dhe vrastare;ne do të shpëtojmë nga këta ujqër me gjithçka që kemi ose përndryshe do të humbasim vetë me gjithçka që kemi. Do të jetë pra “e vërteta, gjithë e vërteta, dhe asgjë veç së vërtetës” ose asgjë e tillë. Ne nuk do të përpiqemi asnjëherë që të shpëtojmë gjysmën e së vërtetës duke hedhur tej ndonjë pjesë të saj. Këshilla e urtë që na është dhënë përfshin tradhti ndaj Perëndisë dhe zhgënjimin tonë. Ne do të mbrojmë gjithçka ose asgjë. Na thuhet se nëse dorëzojmë diçka kundërshtarët gjithashtu do të dorëzojnë diçka, por ne nuk na intereson se çfarë do të bëjnë ata, sepse nuk kemi aspak frikë prej tyre. Ata nuk janë ata pushtuesit perandorakë siç mendojnë për veten e tyre. Ne nuk kërkojmë mëshirë nga parëndësia e tyre. Ne kemi mendësinë e atij luftëtarit që iu ofruan ryshfete dhe iu tha se nëse do të pranonte kaq ar ose aq territor, ai mund të kthehej në shtëpinë e vet si triumfues dhe të lavdërohej me fitimin e pamundimshëm. Por ai tha, “Grekët nuk nxjerrin fitime duke bërë lëshime. Ata e gjejnë lavdinë e tyre jo në dhuratat, por në plaçkën e luftës.”
Me shpatën e Frymës ne do të mbrojmë gjithë të vërtetën si tonën dhe nuk do të pranojmë as dhe një pjesë të saj si dhuratë nga armiqtë e Perëndisë. Të vërtetën e Perëndisë do ta mbrojmë si e vërteta e Perëndisë, dhe do të vazhdojmë ta ruajmë si të tillë, dhe jo se kemi marrë miratimin e mendjeve filozofike. Nëse shkencëtarët bien dakord që ne të besojmë një pjesë të Biblës, nuk kemi pse t’i falënderojmë për asgjë: ne e besojmë atë pavarësisht nga mendimi i tyre. Miratimi i tyre nuk ka më tepër vlerë sesa miratimi i francezëve dhënë anglezëve për të mbajtur Londrën, ose sesa miratimi i urithit që të vëzhgohet nga shqiponja. Ngaqë Perëndia është me ne, ne nuk do të ndalojmë që të mburremi në këtë gjë, por do ta mbajmë gjithë të vërtetën e zbuluar, deri në fund.
Por tani vëllezër, ndërkohë që po qëndroj tek kjo pjesë e parë e temës sime, mbase duke u zgjatur shumë, po ju them se, duke e besuar këtë ne pranojmë detyrimin për të predikuar çdo gjë që shohim se është në Fjalën e Perëndisë për aq sa mund të shohim. Ne nuk do të linim jashtë vullnetarisht asnjë pjesë të gjithë zbulesës së Perëndisë, por kemi dëshirën e madhe që të jemi në gjendje të themi në fund, “nuk jemi tërhequr prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë”. Sa shumë dëme mund të vijnë kur lëmë jashtë ndonjë pjesë të së vërtetës ose kur vendosim aty ndonjë element të huaj!
Gjithë njerëzit e mirë nuk do të pajtohen me mua kur them se shtimi në Fjalën e Perëndisë i doktrinës së pagëzimit të foshnjave – sepse sigurisht që nuk gjendet aty – sjell plot dëme. Ripërtëritja e pagëzimit do të mbështetej mbi supet e pagëzimit të foshnjave. Por tani flas për atë që di. Kam marrë letra nga misionarë, jo nga baptistë, por ueslianë dhe kongrecionalistë, që më kanë thënë, “Që kur jetojmë këtu, (nuk do të përmend lokalitetet që të mos i hap telashe këtyre njerëzve të mirë) ne shohim një kategori personash që janë fëmijë të besimtarëve të mëparshëm dhe që janë pagëzuar, dhe si rrjedhojë quhen të krishterë, por ata nuk janë asnjë grimë më të mirë sesa paganët përreth tyre. Ata duket se mendojnë se janë të krishterë për shkak të pagëzimit të tyre dhe në të njëjtën kohë, ngaqë konsiderohen si të krishterë nga paganët, jeta e tyre e ligë është një skandal i përhershëm dhe një gur pengese i tmerrshëm.” Në shumë raste kështu duhet të jetë vërtet. Po e përdor këtë fakt vetëm si ilustrim.
Por ta zëmë se shpiket ndonjë gabim tjetër ose neglizhohet ndonjë e vërtetë e madhe, vetëm ligësi vjen nga kjo. Në rastin e të vërtetave të tmerrshme që njihen nga ne si “frika e Zotit”, lënia jashtë e tyre po prodhon rezultatet nga më të trishtueshmet. Një njeri i mirë, të cilin nuk e pranojnë ngaqë mëson saktësisht të vërtetën për këtë çështje serioze, ka shkruar gjithsesi me besnikëri dhe në vazhdimësi në gazeta për të thënë se dobësia e madhe e podiumit bashkëkohor është se shpërfill drejtësinë e Perëndisë dhe ndëshkimin e mëkatit. Dëshmia e tij është e vërtetë dhe ligësia që ai vë në dukje është kaq e madhe sa nuk llogaritet dot. Nuk mund të lësh jashtë atë pjesë të së vërtetës që është kaq e zymtë dhe kaq solemne pa dobësuar në të njëjtën kohë forcën e gjithë të vërtetave të tjera që predikon. Ti i vjedh shkëlqimin e tyre dhe rëndësinë e ngutshme të vërtetave që kanë të bëjnë me shpëtimin nga zemërimi që do të vijë.
Vëllezër, mos lini jashtë asgjë. Tregohuni mjaft të guximshëm për të predikuar të vërtetën e pakëndshme dhe të papëlqyer. Ligësia që mund të bëjmë duke i shtuar ose hequr Fjalës së Zotit, mund të mos ndodhë në ditët tona, por nëse ajo piqet në një brez tjetër, ne do të jemi njësoj fajtorë. Nuk kam dyshim se lënia jashtë e disa të vërtetave të caktuara nga kishat e mëparshme ka çuar më pas në gabime serioze, ndërsa disa shtesa të caktuara në formën e riteve dhe ceremonive, që u dukën si të pafajshme në vetvete, çuan në ritualizëm, dhe më pas te apostazia e madhe e romanizmit! Tregoni shumë kujdes. Mos shkoni asnjë centimetër përtej vijës së Shkrimit dhe mos qëndroni asnjë centimetër në këtë anë të tij. Qëndroni në vijën e drejtë të Fjalës së Perëndisë, për aq sa ju ka mësuar Fryma e Shenjtë dhe mos mbuloni asgjë nga çfarë Ai ka zbuluar. Mos jini aq të guximshëm sa të anuloni dy urdhëresat që ka dhënë Zoti Jezus, megjithëse disa kanë kuturisur me mendjemadhësi të turpshme; as mos i mbivlerësoni këto urdhëresa deri në kanale të pashmangshme të hirit, siç kanë bërë të tjerët me besëtytni. Qëndroni në zbulesën e Frymës.
Kujtoni, ju duhet të jepni llogari dhe nuk do të jepni llogari me gëzim nëse nuk jeni treguar besnik me të vërtetën e Perëndisë. Mbani mend historinë e Gilipit, të cilit Lisandri i besoi çanta me ar për t’ia dërguar autoriteteve të qytetit. Ato çanta u mbyllën lart e më pas u vulosën; Gilipi mendoi se po të priste fundin e çantave do të mund të nxirrte një pjesë të monedhave, dhe më pas mund t’i qepte me kujdes, dhe kështu vulat nuk do të prisheshin, dhe askush nuk do të dyshonte se ishte marrë ar. Kur çantat u hapën, për tmerrin dhe çudinë e tij, kishte një shënim në secilën prej tyre që thoshte se sa ar përmbanin dhe kështu, ai u zbulua. Fjala e Perëndisë ka përbrenda klauzola vetë-verifikuese, prandaj nuk mund t’ia mbathësh tutje me një pjesë të saj, pa pjesën tjetër që të akuzon dhe provon fajësinë tënde. Si do të përgjigjeni “në atë ditë”, nëse i keni shtuar ose hequr Fjalës së Zotit? Nuk jam këtu për të vendosur se çfarë duhet të konsideroni si të vërtetën e Perëndisë, por, cilëndo që e gjykoni si të tillë, predikojeni të gjithën dhe predikojeni atë qartë e thjeshtë. Nëse unë ndryshoj nga ju dhe ju nga unë, ne nuk do të ndryshojmë shumë nga njëri tjetri, nëse jemi njësoj të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe kemi frikë nga Perëndia. Rruga drejt paqes nuk është fshehja e bindjeve, por shprehja e sinqertë e tyre në fuqinë e Frymës së Shenjtë.
Edhe një fjalë tjetër. Ne e pranojmë detyrimin për të predikuar gjithçka që është në Fjalën e Perëndisë, pa dyshim dhe qartë. A nuk predikojnë disa në mënyrë të paqartë, duke e përdorur Fjalën e Perëndisë në mënyrë mashtruese? Mund të ndjekësh shërbesën e tyre për vite me radhë dhe nuk e di se çfarë besojnë ata. Kam dëgjuar rreth një pastori të kujdesshëm, që u pyet nga një nga dëgjuesit, “Cila është pikëpamja jote për shlyerjen?” Ai u përgjigj, “I dashur zotëri, këtë nuk ia kam treguar askujt dhe nuk do të ma nxjerrësh ti këtë përgjigje.” Kjo është një gjendje e çuditshme morale për mendjen e predikuesit të ungjillit. Kam frikë se ai nuk është i vetëm në këto fjalë të përmbajtura. Thuhet për ta se “përtypin fjalët e tyre”, domethënë, i mbajnë dyshimet e tyre për konsum shtëpiak. Shumë nuk guxojnë të thonë në podium atë që e thonë sub rosa[1], në takime private të pastorëve. A tregon kjo vallë sinqeritet?
Kam frikë se me disa është si me drejtorin e një shkolle në një qytet të një shteti jugor të Amerikës. Një predikues afro amerikan trupmadh dhe i vjetër, njëfarë Xhasperi, i kishte dhënë si mësim njerëzve të tij se bota është e rrafshët si një kulaç dhe se dielli shkon përreth saj çdo ditë. Këtë pjesë të mësimit të tij ne nuk e pranojmë, por disa persona e kishin pranuar dhe njëri prej tyre i shkon drejtorit bashkë me djalin e tij dhe e pyet, “A i mëson fëmijët se bota është sferike apo e rrafshët?” Drejtori u përgjigj me kujdes, “Po.” Ai që e pyeti u hutua nga këto fjalë, gjithsesi i kërkoi një përgjigje më të saktë. “A i mëson fëmijët e tu se bota është sferike apo se bota është e rrafshët?” Atëherë një mësues aty pranë iu përgjigj. “Kjo varet prej opinioneve të prindërve.” Dyshoj se edhe në Britaninë e Madhe, në disa raste, shumë gjëra varen prej kahut nga anon pastori kryesor, ose dhuruesi kryesor, ose i riu i talentuar në bashkësi. Nëse ndodh vërtet kështu, është vërtet një krim i neveritshëm.
Por në qoftë se për këtë arsye apo për ndonjë arsye tjetër ne mësojmë të tjerët me gjuhë të dyfishtë, rezultati do të jetë tejet i dëmshëm. Po marr përsipër të përmend këtu një histori që e kam dëgjuar nga një vëlla i dashur. Një lypës thirri një pastor për të nxjerrë ndonjë pare prej tij. Pastorit nuk i pëlqeu shumë pamja e jashtme e lypësit dhe i tha, “Nuk dua t’ia di për problemin tënd dhe nuk shoh ndonjë arsye të veçantë pse duhet të vish tek unë.” Lypësi u përgjigj, “Jam i sigurt se do të më ndihmoje po ta dije se çfarë përfitimi të madh kam pasur nga shërbesa jote e bekuar.” “Për çfarë përfitimi e ke fjalën?” tha pastori. Lypësi më pas u përgjigj, “Po ja zotëri, kur erdha fillimisht për të të dëgjuar, nuk doja t’ia dija as për Perëndinë dhe as për djallin, por tani, nga shërbesa jote e bekuar, i dua që të dy.” Çfarë çudie nëse, duke dëgjuar fjalët e dredharake të disa njerëzve, njerëzit rriten në dashurinë për të vërtetën dhe gënjeshtrën njëkohësisht! Njerëzit do të thonë, “Na pëlqen kjo formë doktrine dhe na pëlqen po ashtu edhe tjetra.” Fakti është se, ata do të pëlqenin çdo gjë nëse një mashtrues i zgjuar i paraqet gjërat bindshëm para tyre.
Ata admirojnë Moisiun dhe Aaronin, por nuk thonë asnjë fjalë kundër Janesit dhe Jambresit. Ne nuk do të bashkohemi me atë grup njerëzish që synojnë këtë të kuptuar. Ne duhet ta predikojmë ungjillin kaq qartë sa njerëzit e dinë se çfarë po predikojmë. “Nëse boria lëshon një tingull të papërcaktuar, kush do të përgatitej për betejë?” Mos i hutoni njerëzit me fjalime të dyshimta. “Mirëpo”, tha njeri, “më erdhi një ide e re dje. Nuk u thellova në të, por thjeshtë e lëshova aty për aty” Kjo është gjë e mirë për t’u bërë me shumicën e ideve tona të reja. I lëshoni pa hezituar, por kini kujdes se ku jeni kur po e bëni këtë, sepse nëse i lëshoni nga podiumi, ato mund të godasin dikë dhe t’i shkaktojnë një plagë besimit. I shprehni fantazitë tuaja, por së pari shkoni vetëm në një barkë një milje larg në det. Sapo t’i keni lëshuar çikërrimat tuaja pa vlerë, ua lini ato peshqve.
Në ditët e sotme kemi përreth një kategori njerëzish që predikojnë Krishtin dhe madje predikojnë ungjillin, por pastaj ata predikojnë edhe shumë gjëra të tjera që nuk janë të vërteta, dhe kështu shkatërrojnë të mirën e gjithë ç’ka kanë paraqitur më parë dhe i tërheqin me karrem njerëzit në gabim. Ata mund të vetëquhen “ungjillorë” dhe megjithatë mund të jenë nga shkolla që është në të vërtetë anti ungjillore. I shikoni me kujdes këta zotërinj. Kam dëgjuar se një dhelpër, kur ndiqet nga afër prej qenve, hiqet si një prej tyre dhe vrapon me ta në grup. Kjo është çfarë disa kanë si synim pikërisht tani: dhelprat duan të duken si qentë. Por në rastin e dhelprës, era e fortë që lëshon, e tradhton dhe qentë shumë shpejt e zbulojnë; dhe po kështu, era e doktrinës së rreme nuk fshihet lehtë dhe loja nuk zgjat shumë. Ka disa pastorë sot, që vështirë se mund t’i dallojmë nëse janë si qentë apo si dhelprat, por sa për ne, gjithë njerëzit do ta njohin thelbin tonë për aq kohë sa jetojmë dhe nuk do të kenë dyshim për çfarë besojmë dhe çfarë japim mësim. Ne nuk do të ngurrojmë që të shprehim me fjalët më të forta që mund të gjejmë dhe me fjalitë më të shkoqura që mund të formojmë, atë që e mbajmë si të vërtetë themelore.
Kështu kam kaluar gjithë këtë kohë me pikën time të parë, prandaj dy të tjerat, duhet të zënë më pak kohë, megjithëse mendoj se kanë rëndësi parësore.
Tani duhet të kalojmë në revistë USHTRINË TONË. Çfarë mund të bëjnë njerëzit si individë në një kryqëzatë të madhe? Ne kemi lidhje me gjithë popullin e Perëndisë. Ne kemi nevojë për anëtarë të kishave tona si shokët tanë; këta duhet të dalin jashtë dhe të fitojnë shpirtra për Krishtin. Ne kemi nevojë për bashkëpunimin e gjithë vëllezërve dhe motrave. Çfarë mund të arrihet nëse të shpëtuarit nuk dalin përpara, të gjithë, për shpëtimin e të tjerëve? Por pyetja që shtrohet tani është: A duhet të ketë një kishë pikësëpari? A duhet të ketë një ushtri të dallueshme të shenjtorëve apo duhet të përfshijmë edhe ateistët? Ju keni dëgjuar për “kishën e së ardhmes” që na u dashka ta kemi në vend të kishës së Jezu Krishtit. Përderisa rreshtat e saj të fundit pranojnë edhe ateistët, shpresa jonë, në dashurinë tonë, është se do të përfshijë edhe frymërat e liga gjithashtu. Çfarë kishe e mrekullueshme ka për të qenë, me siguri, kur ta shohim! Ajo mund të jetë gjithçka që dëshironi, por ama jo një kishë. Kur ushtarët e Krishtit do të kenë përfshirë në radhët e tyre gjithë banditët e kundërshtarit, a do të ekzistojë më një ushtri për Krishtin? A nuk është ky qartësisht një kapitullim që në fillim të luftës? Të tillë e konsideroj unë.
Ne jo vetëm që duhet të besojmë në kishën e Perëndisë, por duhet ta dallojmë atë në mënyrë të qartë. Disa denominacione duken çdo gjë tjetër veç kishë jo. Diçka e tillë si takimet e kishës janë të panjohura. Për disa, “kisha” nënkupton shërbyesit ose klerikët, por në të vërtetë ajo duhet të nënkuptojë gjithë trupin e besnikëve dhe duhet të ekzistojë një mundësi që ata të mblidhen së bashku dhe të veprojnë si një kishë. Gjykoj se është detyrë e kishës së Perëndisë që të kryejë punën e Perëndisë në vend. Fuqia përfundimtare dhe drejtimi i përket Zotit Jezus dhe Atij vetëm duhet t’i takojë, dhe bashkë me gjithë trupin e besimtarëve, dhe jo veç me disa njerëz të zgjedhur me anë të delegimit apo patronazhit. Gjithnjë e më tepër ne duhet ta vëmë në plan të parë kishën që Perëndia e ka lënë nën kujdesin tonë dhe duke e bërë këtë, ne do të zgjojmë një forcë që përndryshe mbetet e fjetur. Nëse kisha miratohet nga Jezu Krishti, ajo është e denjë të miratohet prej nesh, sepse ne jemi shërbëtorë të kishës.
Po, ne besojmë se duhet të ketë një kishë. Por kishat janë gjëra shumë zhgënjyese. Çdo pastor i një kishe të madhe e di këtë në zemrën e tij. Nuk mendoj se kishat e sotme janë më të këqija se ato që ishin në kohën e Palit ose më të mira. Kishat në Korint dhe Laodice dhe në qytete të tjera kanë shfaqur gabime të mëdha dhe nëse ka gabime në kishat tona, le të mos çuditemi, por megjithatë le të pikëllohemi për gjëra të tilla dhe të punojmë fort për një standard më të lartë. Ashtu si anëtarët e kishës sonë nuk janë ashtu siç duhet të jenë, e njëjta gjë është edhe me ne. Megjithatë, nëse do të shkoja ndokund për shoqëri të zgjedhur, me siguri do të shkoja te anëtarët e kishës sime.
“Këta janë shoqëria që mbaj:
janë miqtë më të mirë që njoh.”
0 Jeruzalem, me gjithë gabimet e tua, të dua akoma! Njerëzit e Perëndisë janë gjithsesi aristokracia e racës njerëzore: Perëndia i bekoftë! Po, synimi ynë është të kemi një kishë.
Tani, a duhet që kjo kishë të jetë reale apo statistikore? Kjo varet shumë nga ju, vëllezër të dashur. Do t’ju nxisja që të keni vendosmërinë për të mos pasur asnjë kishë nëse ajo nuk është reale. Fakti është se shumë shpesh statistikat fetare janë në mënyrë tronditëse të rreme. Loja me numrat nuk është një art i panjohur në disa vende të caktuara, siç e dimë. Kam dëgjuar për një rast disa ditë më parë ku u raportua një rritje prej katër vetash, por sikur numërimi të ishte bërë saktë, duhet të kishte pasur në fakt një rënie prej njëzet e pesë vetash. A nuk është mashtrim kur numrat manipulohen? Ekziston një mënyrë për t’i bërë numrat të duken jo siç janë në të vërtetë. Mos e bëni kurrë këtë. Le të mos i mbajmë emrat në regjistrat tanë ndërsa mbeten veç emra. Disa njerëz të mirë e të moshuar kanë dëshirë t’i mbajnë aty dhe nuk mund ta durojnë që t’i heqin, por kur nuk e di se ku janë individët dhe as se kush janë, si mund t’ i numërosh ata? Ata kanë shkuar në Amerikë ose në Australi ose në qiell, por përsa i përket regjistrit tënd ata janë me ty akoma. A është kjo e drejtë? Mund të mos jetë e mundur që të jesh plotësisht i saktë, por le ta synojmë diçka të tillë. Ne duhet ta shikojmë këtë gjë me shumë seriozitet dhe ta pastrojmë veten nga vesi i raportimeve të rreme, sepse vetë Perëndia nuk do të bekojë thjesht emra. Nuk është kjo mënyra e Tij e të punuarit me ata që veprojnë me dredhi. Nëse nuk ka një person real për çdo emër, korrigjojeni listën. Mbajeni kishën tuaj reale dhe efektive ose mos bëni asnjë raport. Një kishë sa për emër është një gënjeshtër. Le të jetë çfarë deklaron se është. Ne nuk mund të mburremi me statistikat, por ne duhet të dimë faktet.
Por a duhet të rritet kjo kishë apo duhet të shuhet? Do të ndodhë njëra ose tjetra. Ne do t’i shohim miqtë tanë duke shkuar në qiell dhe nëse nuk ka njerëz të rinj të kthyer në besim që hyjnë brenda dhe i shtohen kishës, kisha në tokë do të ketë emigruar te kisha ngadhënjyese lart; dhe çfarë do të bëhej për çështjen dhe mbretërinë e Mjeshtrit këtu poshtë? Ne duhet të jemi duke klithur, duke u lutur dhe duke u përgjëruar që kisha të mund të rritet vazhdimisht. Ne duhet të predikojmë, të vizitojmë njerëzit, të lutemi dhe të punojmë për këtë qëllim. Na shtoftë Zoti çdo ditë anëtarë të tjerë të shpëtuar! Nëse nuk ka të korra, a mund të jetë fara vallë fara e vërtetë? A po predikojmë doktrinën apostolike nëse nuk shohim kurrë rezultate apostolike? Oh, vëllezërit e mi, duhet të na dhembin zemrat, nëse nuk ka rritje në tufën që kemi nën kujdestari. 0 Zot, të përgjërohemi, dërgo tani begati!
Që një kishë të jetë ashtu siç duhet të jetë për qëllimet e Perëndisë, ne duhet ta stërvitim atë në artin e shenjtë të lutjes. Kishat pa takime lutjesh janë fatkeqësisht të zakonshme. Edhe sikur të kishte vetëm një të tillë, ajo do të ishte një kishë për të ardhur keq. Në shumë kisha takimi i lutjes është veç skeleti i një takimi: forma ruhet, por njerëzit nuk vijnë. Nuk ka interes, as fuqi, në lidhje me takimin. Oh, vëllezërit e mi, le të mos ndodhë kështu me ju! Stërvitini njerëzit që të mblidhen vazhdimisht për lutje. I nxisni ata për lutje të pandërprera. Ka një art të shenjtë në këto gjëra. Bëni përpjekje të dilni të aprovuar nga lutjet me bollëk që bëjnë njerëzit e kishës suaj. Nëse luteni vetë, do të keni dëshirë që ata të luten bashkë me ju dhe kur ata të fillojnë të luten me ju,për ju dhe për punën e Zotit, ata do të duan vetë më tepër lutje dhe oreksi do të rritet. Më besoni, nëse një kishë nuk lutet, ajo është e vdekur. Në vend që ta vendosim lutjen e bashkuar të fundit, vendoseni atë të parën. Çdo gjë do të varet tek fuqia e lutjes në kishë.
Duhet t’i kemi kishat tona të zëna plot për Perëndinë. Cila është dobia e kishës që thjesht mblidhet për të dëgjuar predikime, ashtu si një familje që mblidhet për të ngrënë ushqimin? Cila është dobia po ju pyes nëse ajo nuk punon? A nuk janë shumë të ashtuquajtur besimtarë që fatkeqësisht janë përtacë në punën e Zotit, megjithëse mjaft të zellshëm në punën e tyre? Për shkak të përtacisë së krishterë dëgjojmë për nevojën për argëtim dhe lloj-lloj gjepurash. Nëse ata do të ishin duke punuar për Zotin Jezus ne nuk do ta dëgjonim këtë gjë. Një grua e krishterë i tha një amvise, “Zonjë, si ia bën për t’u zbavitur?” “Pse”, u përgjigj ajo, “e dashur, siç e sheh kam kaq shumë fëmijë dhe ka shumë punë për t’u bërë në shtëpi.” “Po,” tha tjetra, “E shoh. E shoh se ka shumë punë për t’u bërë në shtëpi, por meqë nuk mbarojnë kurrë, po vrisja mendjen se me se argëtohesh.”
Shumë gjëra duhen bërë nga një kishë e krishterë brenda kufijve të saj,për lagjen përreth, për të varfërit dhe mëkatarët dhe për botën pagane, e kështu me radhë; dhe nëse bëhen ashtu si duhet, mendja, zemra, duart dhe gjuha do të jenë të zëna dhe nuk do të ketë kërkesa për argëtime. Lëreni përtacinë të vijë bashkë me atë frymë që kontrollon dembelët dhe do të lindë një dëshirë për zbavitje. Sa dëfrim që janë ata vetë! Nëse besimi nuk është një farsë brenda disa bashkësive, prapëseprapë ata mblidhen më lehtë për të parë një farsë sesa për t’u bashkuar në lutje. Nuk mund ta kuptoj këtë.
Njeriut të cilit i ndrin fytyra me dashuri për Jezusin nuk ka nevojë për argëtim. Ai nuk ka kohë për gjëra të parëndësishme. Ai është tejet serioz për të shpëtuar shpirtra, për ta bërë të qëndrueshme të vërtetën dhe për të rritur mbretërinë e Zotit të tij. Ka ekzistuar gjithnjë një nxitje e ngutshme për kauzën e Perëndisë brenda meje; dhe kjo ka ndodhur një herë, dy herë, tre herë e në vazhdimësi dhe përpjekja ka qenë gjithnjë për të gjetur raste për të bërë punën që duhet bërë dhe prandaj nuk kam pasur kohë për të ndjekur vogëlsira. Oh sa mirë të kesh një kishë që punon! Kishat gjermane, kur miku ynë i ngushtë, z. Onken, ishte gjallë, e kishin si rregull që ta pyesnin çdo anëtar, “Çfarë do të bësh për Krishtin?” dhe e shkruanin përgjigjen në një libër. Gjëja e vetme që i kërkohej një anëtari ishte që ai të vazhdonte të bënte diçka për Shpëtimtarin. Nëse ai ndalonte dhe nuk bënte më asgjë kjo ishte një çështje për disiplinën e kishës, sepse ai ishte një i ashtuquajtur besimtar dembel dhe nuk mund të lejohej të qëndronte në kishë si një grerëz në një koshere bletësh punëtore. Ai duhet të punonte ose të ikte. Ah sikur të kishim një parcelë pa asnjë fik shterpë që zë tokën kot!
Aktualisht pjesa më e madhe e luftës sonë të shenjtë kryhet nga një grusht i vogël njerëzish tejet të gjallë, aktivë e të zellshëm dhe pjesa tjetër janë ose në spital ose thjesht ndjekës denominacionesh. Ne jemi mirënjohës për ata pak veta të përkushtuar, por kemi dëshirë të fortë që ta shohim zjarrin e altarit të konsumojë gjithçka që deklarohet se është vendosur mbi altar.
Vëllezër, ne duam gjithashtu kisha që nxjerrin shenjtorë, njerëz të besimit të madh dhe të lutjes këmbëngulëse, njerëz me jetë të shenjtë dhe me ofrime të shenjtëruara, njerëz të mbushur me Frymën e Shenjtë. Ne duhet t’i kemi këta shenjtorë si vile të plota ose përndryshe me siguri që nuk jemi degë të hardhisë së vërtetë. Do të dëshiroja që të shihja në çdo kishë një Mari që rri ulur te këmbët e Jezusit, një Marta që i shërben Jezusit, një Pjetër dhe një Gjon, por emri më i mirë për një kishë është “Të gjithë shenjtorë.” Të gjithë besimtarët duhet të jenë shenjtorë dhe të gjithë mund të jenë shenjtorë. Nuk kemi lidhje me “shenjtorët e ditëve të mëvonshme,” por ne i duam shenjtorët e çdo dite. Oh, paçim më shumë prej këtyre! Nëse Perëndia do të na ndihmojë që i gjithë grupi i besnikëve, secili prej tyre individualisht, të arrijë në plotësinë e shtatit të një njeriu në Krishtin Jezus, atëherë do të shohim gjëra më të mëdha se këto. Kohë të lavdishme do të vijnë kur besimtarët kanë karakter të lavdishëm.
Ne duam gjithashtu kisha që e njohin të vërtetën dhe që janë të mësuara ashtu si duhet në gjërat e Perëndisë. Çfarë dinë disa të krishterë? Ata vijnë, dëgjojnë dhe marrin mësime të urta me bollëk, por sa pak që grumbullojnë dhe përvetësojnë për vetë ndërtimin e tyre! Vëllezër, gabimi gjendet pjesërisht tek ne dhe pjesërisht tek ata vetë. Nëse ne mësojmë më mirë ata do të mësojnë më mirë. Shikoni se sa pak dinë shumë të ashtuquajtur besimtarë, jo mjaftueshëm për t’u dhënë dallim mes të vërtetës së gjallë dhe gabimit vdekjeprurës.
Besimtarët e brezave të mëparshëm mund të të citonin kapitullin dhe vargun mbi atë që besonin, por sa pak të tillë kanë mbetur! Gjyshërit tanë të nderuar ishin në mjedisin e vet kur bisedonin për “besëlidhjet.” I dua shumë njerëzit që e duan besëlidhjen e hirit dhe e bazojnë teologjinë e tyre mbi të: doktrina e besëlidhjeve është çelësi i teologjisë. Ata që e kishin frikë Zotin flisnin shpesh me njeri-tjetrin. Ata e kishin për zakon që të flisnin për jetën e përjetshme dhe për gjithçka që vjen bashkë me të. Ata kishin një argument të mirë për këtë kredo dhe një arsye të shkëlqyer për atë doktrinën tjetër dhe ishin të kota gjithë përpjekjet për t’i tronditur në bindjet e tyre: ishte njësoj si të përpiqeshe të tronditje shtyllat e universit, sepse ata ishin besnikë dhe nuk mund të mbarteshin me çdo erë doktrine. Ata e dinin atë që dinin dhe e mbanin fort atë që kishin mësuar.
Çfarë do të bëhet me vendin tonë, me përmbytjen aktuale të romanizmit që po na vjen përmes grupit të ritualistëve, nëse kishat tona nuk janë të mbushura me besimtarë të vendosur që mund të dallojnë mes ripërtëritjes nga Fryma e Shenjtë dhe zëvendësimeve të saj ceremoniale? Çfarë do të bëhet me kishat në këtë kohë të skepticizmit, kur çdo e vërtetë e ngulët tregohet me gishtin e dyshimit, nëse njerëzit tanë nuk i kanë të vërtetat e ungjillit të shkruara në zemrën e tyre? Oh, paçim një kishë me besimtarë fund e krye, të padepërtueshëm nga dyshimi shpirt shkatërrues që derdhet mbi ne si shi!
Megjithatë e gjitha kjo nuk do të arrinte idealin tonë. Ne duam një kishë me një karakter misionar, e cila do të dalë për të mbledhur një popull për Perëndinë nga të gjitha pjesët e botës. Një kishë është një grup njerëzish që shpëton shpirtra ose nuk është asgjë. Nëse kripa nuk kryen funksionin ruajtës për atë që e rrethon, çfarë dobie ka? Megjithatë disa tërhiqen mbrapsht nga përpjekjet e tyre në komunitetin ku jetojnë për shkak të varfërisë ose veseve të njerëzve aty.
Më kujtohet një shërbenjës i cili ka vdekur tani dhe me të vërtetë që ishte njeri shumë i mirë, në shumë aspekte, por ama më la pa mend me një përgjigje që i dha pyetjes sime. Vura në dukje se kishte një lagje të tmerrshme përreth kishës së tij dhe i thashë, “A je në gjendje të bësh ndonjë gjë për ta?” Ai u përgjigj, “Jo, jam thuajse i ngazëlluar që qëndrojmë larg tyre, sepse, më kupto drejt, nëse ndonjëri prej tyre do të kthehej në besim, do të ishte një barrë e rëndë për ne.” E dija se ai ishte njeri i kujdesshëm dhe i matur, por ky reagim më befasoi dhe i kërkova një shpjegim. “Po ja,” tha ai, do të na duhej të kujdeseshim ne për ta: ata janë kryesisht hajdutë dhe prostituta dhe nëse do të ktheheshin në besim, nuk do të kishin asnjë mjet jetese, mirëpo ne jemi njerëz të varfër dhe nuk do të mund t’i ndihmonim dot”! Ai ishte njeri i përkushtuar, dikush me të cilin ia vleje të bisedoje dhe megjithatë, gradualisht ai kishte arritur në këtë konkluzion për këtë çështje. Njerëzit e tij me vështirësi siguronin shpenzimet e shërbesës, dhe në këtë mënyrë varfëria e madhe shtypte zellin e hirshëm, dhe ngrinte rrjedhën e ngrohtësisë së shpirtit të tij. Kishte shumë bon sens në atë që ai tha, por megjithatë ishte e frikshme të shprehje një gjë të tillë. Ne duam njerëz që nuk do të jenë duke kënduar përjetë, –
“Një kopsht me mure përreth jemi,
si tokë e veçantë dhe e zgjedhur prehemi;
një vend i vogël nga hiri rrethuar,
jashtë shkretëtirës të botës duke qëndruar.”
Ky është një varg i mirë për t’u kënduar në disa raste, por jo kur ka si domethënie, “Ne jemi shumë pak dhe dëshirojmë të mbetemi pak.” Jo, jo, vëllezër! ne jemi një detashment i vogël ushtarësh të Mbretit me shërbim në një vend të huaj me detyrat e një garnizoni, megjithatë ne synojmë jo vetëm që ta mbajmë fortesën, por edhe t’i shtojmë territore sundimit të Zotit. Ne nuk jemi për t’u dëbuar, por përkundrazi, ne do t’i dëbojmë kananeasit, sepse kjo tokë na takon neve, na është dhënë neve nga Zoti dhe do ta nënshtrojmë atë. Le të ndizemi me frymën e zbuluesve dhe zotëruesve dhe të mos pushojmë kurrë deri sa mbetet akoma një kategori njerëzish për t’u shpëtuar, një krahinë për t’u ungjillëzuar!
Ne po vozisim si njerëzit e një barke shpëtimi në një det me stuhi, duke nxituar për tek vendi ku anija është pranë fundosjes dhe njerëzit po vdesin. Nëse nuk mund ta tërheqim në breg atë anije të mbytur, të paktën, me fuqinë e Perëndisë, do të shpëtojmë ata që po vdesin, do të shpëtojmë jetë dhe do t’i sjellim të shpenguarit në brigjet e shpëtimit. Misioni ynë, ashtu si ai i Zotit, është që të mbledhim të zgjedhurit e Perëndisë nga mesi i njerëzve, që ata të mund të jetojnë për lavdinë e Perëndisë. Çdo njeri i shpëtuar, duhet të jetë, nën udhëheqjen e Perëndisë, një shpëtimtar dhe Kisha nuk është në gjendjen e duhur deri sa të ketë arritur këtë konceptim për veten. Kisha e zgjedhur është shpëtuar që të mund të shpëtojë, është pastruar që të mund të pastrojë dhe është bekuar që të mund të bekojë. Gjithë bota është ara dhe gjithë anëtarët e kishës duhet të punojnë atje për Bujkun e madh. Tokat djerrë duhen punuar dhe pyjet duhen hapur, deri sa vendi i vetmuar të fillojë të lulëzojë si trëndafili. Ne nuk duhet të kënaqemi thjesht me mbajtjen e territorit tonë: ne duhet të pushtojmë territoret e princit të errësirës.
Vëllezërit e mi, cila është marrëdhënia jonë me këtë kishë? Cila është pozita jonë në të? Ne jemi shërbëtorë. Le ta kuptojmë gjithnjë vendin tonë dhe ta ruajmë atë! Vendi më i lartë në kishë do t’i jepet gjithnjë njeriut që me dëshirë zgjedh më të ulëtin; ndërkohë ai që aspiron që të jetë i madh mes vëllezërve të tij do të fundoset për të qenë më i vogli mes tyre. Disa njerëz mund të ishin bërë dikushi sikur të mos kishin menduar për veten kështu. Një njeri që mendon se është i madh është pa dyshim një njeri i vogël. Një zot mbi trashëgiminë e Perëndisë është një uzurpator i poshtër. Ai që në zemrën dhe shpirtin e tij është gjithnjë i gatshëm t’i shërbejë më të voglit të familjes, që pret që të keqtrajtohet dhe me gatishmëri sakrifikon reputacionin dhe shoqërinë për hir të Krishtit, ai do të përmbushë një shërbesë të dhënë nga lart. Ne nuk dërgohemi që të na shërbejnë, por që të shërbejmë. Le t’i këndojmë Zotit tonë të shumëdashur:
“S’ka asnjë qengj në tufën Tënde të mirë,
që nuk do ta ushqeja me plot dëshirë;
para çdo armiku që kam përball;
Kauzën Tënde pa frikë unë shpall.”
Ne duhet po ashtu edhe të jemi shembuj të tufës. Ai që nuk ndiqet dot si një shembull i padëmshëm nuk duhet toleruar në podium. A kam dëgjuar vallë për një pastor i cili gjithnjë hyn në debate veç për të dalë mbi të tjerët? Apo për një tjetër që ishte i pasjellshëm dhe lakmitar? Apo për një të tretë biseda e të cilit nuk ishte gjithnjë e pastër? Apo për një të katërt i cili si rregull nuk ngrihej nga gjumi, deri në orën njëmbëdhjetë të mëngjesit? Shpresoj se fjalët për këtë rastin e fundit të ketë qenë krejt të rreme. Një pastor dembel – çfarë do të ndodhë me të? Një pastor që lë pas dore detyrën e tij? A pret ai vallë që të shkojë në qiell? Isha gati të them, “Nëse vërtet shkon atje, shkoftë sa më shpejt.” Një pastor dembel është një krijesë e përçmuar nga njerëzit dhe që Perëndia e ka neveri. “Ju i jepni pastorit tuaj vetëm 50 sterlina në vit!” i thashë një fermeri. “Ky i varfri nuk mund të jetojë dot me to.” Përgjigjja ishte, “Shiko zotëri! Po të tregoj si është puna: ne i japim atij shumë më tepër sesa meriton.”
Është vërtet për të ardhur keq kur mund të thuhet kjo gjë; cenon gjithë ata që ndjekin thirrjen tonë të shenjtë. Ne duhet të jemi shembuj për tufën tonë në të gjitha gjërat. Në gjithë zellin tonë për punën, në gjithë zemërbutësinë, në gjithë përulësinë dhe në gjithë shenjtërinë ne duhet të shkëlqejmë. Kur Cezari shkonte në luftë, një gjë i ndihmonte gjithnjë ushtarët e tij për të duruar mundimet: ata e dinin se Cezari ishte në të njëjtën situatë me ta. Ai marshonte nëse ata marshonin, ai kishte etje nëse ata kishin etje dhe ishte gjithnjë në mes të betejës nëse ata po luftonin.
Ne duhet të bëjmë më tepër se të tjerët nëse jemi oficerë në ushtrinë e Krishtit. Ne nuk duhet të thërrasim, “Vazhdo”, por, “Eja” Njerëzit tanë mund të presin me të drejtë nga ne që të paktën të jemi mes njerëzve më vetëmohues, më punëtorë dhe më të përkushtuar në kishë, dhe madje diçka më tepër se kaq. Ne nuk mund të presim që të shohim kisha të shenjta nëse ne që e kemi për detyrim që të jemi shembujt e tyre nuk jemi të shenjtëruar. Nëse ka në ndonjërin prej vëllezërve tanë përkushtim dhe shenjtërim, të dallueshëm nga të gjithë njerëzit, Perëndia i ka bekuar ata dhe Perëndia do t’i bekojë gjithnjë e më tepër. Nëse këto mungojnë në ne, nuk duhet të kërkojmë larg për shkakun e mos suksesit tonë.
Kam shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por nuk mund t’i mbani tani, për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë dhe jeni lodhur. Megjithatë, dëshiroj, nëse mund të mblidhni durimin dhe forcat, për të qëndruar edhe për pak kohë për pjesën më të rëndësishme të temës sime të trefishtë. Këtu më lejoni që të lutem për ndihmën e Tij, emrin dhe personin e të cilit dua ta lartësoj. Eja, Frymë e Shenjtë, Pëllumb qiellor dhe prehu mbi ne tani!
Duke e marrë si të mirëqenë se predikojmë vetëm Fjalën, duke e marrë si të mirëqenë se jemi të rrethuar nga një kishë model, që, për fat të keq, nuk është gjithnjë kështu, por, duke e marrë si të mirëqenë se kështu është vërtet, FORCA JONË është pika tjetër që do të shqyrtojmë. Kjo duhet të vijë nga FRYMA E PERËNDISË. Ne besojmë në Frymën e Shenjtë dhe në varësinë tonë absolute tek Ai. Ne besojmë, por a besojmë praktikisht? Vëllezër, sa për veten tonë dhe për vetë punën tonë, a besojmë në Frymën e Shenjtë? A besojmë ngaqë vazhdimisht e provojmë të vërtetën e doktrinës?
Ne duhet të mbështetemi te Fryma në përgatitjet tona. A është një realitet kjo gjë me ne të gjithë? A e keni për zakon që të depërtoni në kuptimin e tekstit me anë të drejtimit të Frymës së Shenjtë? Çdo njeri që shkon në vendin e njohurisë qiellore duhet të gjejë shtegun e tij për atje, por ai duhet ta gjejë shtegun me anë të forcës së Frymës së Shenjtë ose përndryshe do të arrijë në ndonjë ishull të detit të fantazisë, pa vënë këmbë asnjëherë mbi brigjet e shenjta të së vërtetës. Ti nuk e njeh të vërtetën vëllai im, sepse ke lexuar librat “Përvijimet e Hoxhit”, ose “Ungjilli plotësisht i denjë për pranim të Fullerit”; ose “Mbi Frymën nga Oueni”, ose ndonjë libër tjetër klasik të besimit tonë. Nuk e njeh të vërtetën, vëllai im, thjesht sepse pranon Deklaratën e Asamblesë së Uestminsterit dhe ngaqë e ke studiuar atë në mënyrë të përsosur.
Jo, ne nuk njohim asgjë deri sa jemi mësuar nga Fryma e Shenjtë, i Cili i flet zemrës dhe jo veshit. Është një fakt i mrekullueshëm që ne as nuk e dëgjojmë zërin e Jezusit deri sa Fryma prehet mbi ne. Gjoni thotë, “Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh.” Ai nuk e dëgjoi atë zë para se të ishte në Frymë.
Sa shumë fjalë qiellore i humbasim për shkak se nuk qëndrojmë në Frymë! Nuk mund të kemi sukses në lutje përveçse kur Fryma e Shenjtë na ndihmon në dobësitë tona, sepse lutja e vërtetë është “duke u lutur në Frymën e Shenjtë.” Fryma krijon një atmosferë përreth çdo lutje të gjallë dhe brenda atij rrethi lutja jeton dhe ngadhënjen; jashtë tij lutja është një formalitet i vdekur. Sa për ne vetë atëherë, në studimin tonë, në lutje, në mendim, në fjalë dhe në vepra, ne duhet të varemi te Fryma e Shenjtë.
Në podium, a mbështetemi realisht dhe me të vërtet te ndihma e Frymës? Nuk kritikoj asnjë vëlla për mënyrën e tij të predikimit, por më duhet të rrëfej se më duket shumë e çuditshme kur një vëlla lutet që Fryma e Shenjtë të mund ta ndihmojë atë në predikim, dhe pastaj e shoh që fut dorën në xhep dhe nxjerr një dorëshkrim, në një formë të tillë sa mund ta vendosë në mes të Biblës së tij, dhe të lexojë prej aty pa krijuar asnjë dyshim. Me këtë kujdes për të mos rënë në sy duket sikur ky njeri ka patur turp nga fleta e tij, por mendoj se ai duhet të ketë shumë më tepër turp për kujdesin e treguar. A pret ai që Fryma e Perëndisë ta bekojë ndërkohë që bën një marifet? Dhe si mund ta ndihmojë Ai vallë ndërsa lexon nga një letër nga ku mund të lexojë kushdo tjetër pa ndihmën e Frymës? Çfarë ka të bëjë me këtë Fryma e Shenjtë? Vërtet që Ai mund të ketë pasur dorë në përgatitjen e dorëshkrimit, por në podium ndihma e Tij është e panevojshme. Do të ishte më e sinqertë “që të falënderohej Fryma e Shenjtë për ndihmën e dhënë dhe t’i kërkojmë që për atë çfarë Ai na ka ndihmuar për ta futur në xhep, të na ndihmojë për ta futur në zemrat e njerëzve. Megjithatë, nëse Fryma e Shenjtë ka diçka për t’u thënë njerëzve, që nuk është e shkruar në letër, si mund ta thotë vallë? Mua më duket se është bllokuar me efikasitet nga kjo metodë shërbese përsa i përket freskisë së ligjëratës. Megjithatë, nuk më takon mua të bëj censurë, megjithëse mund të kërkoj qetësisht për liri ndërsa profetizojmë dhe vend që Zoti të na japë në po atë çast se çfarë duhet të themi.
Po ashtu, ne duhet të mbështetemi te Fryma e Perëndisë për rezultatet tona. Asnjë njeri mes nesh nuk mendon se mund të ripërtërijë një shpirt. Ne nuk jemi kaq të marrë sa të pretendojmë se kemi fuqi për të ndryshuar një zemër të ngurtë. Ne nuk do të guxonim të shkonim kaq larg, por megjithatë ne mund të shkojmë deri aty sa të mendojmë se me anë të eksperiencës sonë, mund t’i ndihmojmë njerëzit në vështirësitë e tyre shpirtërore. A mundemi vallë? Mund të shpresojmë që entuziazmi ynë do ta shtyjë kishën përpara dhe ta lërë botën e vdekur pas. A do të ndodhë vallë kështu?
Mbase ne përfytyrojmë se sikur të mund të ngrinim një rizgjim shpirtëror, do ta kishim të lehtë që t’i shtonim kishës shumë njerëz të tjerë. A ia vlen që të ngremë një rizgjim shpirtëror? A nuk duhet që të gjithë rizgjimet e vërteta shpirtërore të zbresin nga lart? Ne mund ta bindim veten se daullet, boritë dhe britmat do të bëjnë shumë punë. Mirëpo, vëllezërit e mi, “Zoti nuk është në erë.”
Rezultatet me vlerë vijnë nga Ai punëtor i heshtur, por i plotfuqishëm emri i të Cilit është Fryma e Perëndisë: në Të dhe vetëm në Të, ne duhet të besojmë për kthimin në besim të çdo fëmije të shkollës të së dielës dhe për çdo rizgjim të vërtetë. Për mbajtjen të bashkuar të njerëzve tanë dhe për ndërtimin e tyre në një tempull të shenjtë, ne duhet të shohim tek Ai. Fryma mund të thotë, ashtu siç ka thënë edhe Zoti, “Pa Mua nuk mund të bëni asgjë.”
Çfarë është vallë Kisha e Perëndisë pa Frymën e Shenjtë? Pyesni se çfarë do të ishte Hermoni pa vesën e tij ose Egjipti pa Nilin? Shikoni tokën e Kanaanit kur mallkimi i Elias ra mbi të dhe për tre vjet nuk pa as vesë dhe as shi: ashtu do të bëheshin territoret e krishtera pa Frymën. Çfarë do të ishin luginat pa burimet me ujë ose qytetet pa puset e tyre; çfarë do të ishin arat me misër pa diellin ose të korrat pa verën – kështu do të ishin kishat tona pa Frymën. Gjithashtu mendoni për ditën pa dritë, ose jetën pa frymë, ose parajsën pa Perëndinë, kështu është shërbesa e krishterë pa Frymën e Shenjtë. Asgjë nuk mund të zërë vendin e Tij nëse Ai mungon: kullotat janë një shkretëtirë, arat pjellore janë një vend shterpë, Sharoni lëngon, dhe Karmeli digjet me zjarr.
Frymë e bekuar e Zotit, na fal që kemi vepruar kështu me Ty, për shkak të harresës, me anë të vetëmjaftueshmërisë sonë krenare, duke i rezistuar influencës Tënde dhe duke shuar zjarrin Tënd! Këtej e tutje puno në ne sipas përsosmërisë Tënde. Bëji zemrat tona të buta,pastaj na kthe si dyllë për vulën dhe vulos në ne imazhin e Birit të Perëndisë. Me një lutje të tillë dhe me rrëfim të tillë të besimit, le të vazhdojmë me temën tonë në fuqinë e Frymës së mirë për të Cilin po flasim.
Çfarë bën Fryma e Shenjtë? Vëllezër të dashur, çfarë pune të mirë ka që Ai nuk e bën. I takon Atij që të na ripërtërijë, të na bindë, të na ndriçojë, të na pastrojë, të na drejtojë, të na ruajë, të na ngushëllojë, të na miratojë, të na përsosë dhe të na përdorë. Sa shumë gjëra mund të thuhen për secilën nga këto pika! Është Ai që vepron në ne vullnetin dhe veprimtarinë. Ai që ka krijuar gjithçka është Perëndi. Lavdi Frymës së Shenjtë për gjithçka që ka përmbushur në natyra kaq të dobëta dhe të papërsosura si ne! Ne nuk mund të bëjmë asgjë të shkëputur nga limfa jetëdhënëse që rrjedh nga hardhia, Jezusi. Ajo që vjen nga ne, bën veç për të na shkaktuar turp dhe hutim në fytyrë.
Ne nuk bëjmë asnjë hap drejt qiellit pa Frymën e Shenjtë. Nuk udhëheqim asnjë tjetër në rrugën e qiellit pa Frymën e Shenjtë. Ne nuk kemi asnjë mendim të pranueshëm, ose fjalë, ose vepër, pa Frymën e Shenjtë. Edhe ngritja e syve dhe shpresës ose derdhja në lutje e dëshirave të zemrës, duhet të jetë vepër e Tij. Gjithë gjërat e mira vijnë prej Tij dhe përmes Tij, nga fillimi e deri në fund. Nuk ekziston frika se po e teprojmë këtu. Por a e kthejmë këtë bindje në veprim?
Në vend që të zgjatem më shumë mbi çfarë bën Fryma e Perëndisë, më lejoni t’i drejtohem përvojës suaj dhe t’ju bëj një apo dy pyetje. A ju kujtohen kohët kur Fryma e Perëndisë ka qenë hirshëm i pranishëm, plot fuqi me ju dhe me popullin tuaj? Çfarë kohësh të mrekullueshme! Ai shabat ka qenë një ditë e madhe. Ato shërbesa ishin si adhurimi i Jakobit kur ai tha, “Me siguri Zoti është në këtë vend!” Çfarë komunikimi që vendoset mes predikuesit në Frymë dhe njerëzve në Frymë! Sytë e tyre duket sikur na flasin po aq sa u flet gjuha jonë. Ata janë atëherë njerëz shumë të ndryshëm nga sa janë në raste të zakonshme: ka madje një bukuri në fytyrat e tyre ndërsa ne përlëvdojmë Zotin Jezus dhe ata po shijojnë dhe po pinë në dëshminë tonë. A keni parë ndonjëherë ndonjë zotëri të shkollës moderne duke shijuar predikimin e tij?
Predikuesit tanë ungjillorë gjejnë shumë gëzim kur parashtrojnë atë që miqtë tanë liberalë me kënaqësi i quajnë “klishetë” e ungjillorëve, por modernistët në urtësinë e tyre nuk ndjejnë një gëzim të tillë. A mund ta përfytyroni dot një Degradues[2] që i ndrin fytyra. Sa me zymtësi bisedojnë për Teorinë e pas mërgimit! Ata më kujtojnë shprehjen e Raskinit – “Tërneri nuk gjente gëzim në mullirin e tij.” Ju siguroj se nuk ka asgjë për të shijuar dhe ata janë dukshëm të gëzuar ndërsa mbarojnë detyrën e tyre të grumbullimit të eshtrave pa mish. Ata qëndrojnë te një grazhd i boshatisur, duke u zbavitur me kafshimin e djepit të tyre. Ata e mbarojnë predikimin dhe bëhen mjaft të plogësht deri sa e hëna vjen me një ndeshje futbolli, ose me ndonjë zbavitje tjetër, ose me ndonjë takim politik. Për ta predikimi është “punë”, megjithëse ata nuk punojnë shumë për të. Predikuesit e vjetër dhe disa prej atyre që janë akoma gjallë, por për të cilët thuhet se janë “të vjetruar”, e konsiderojnë podiumin si një fron ose si një karro ngadhënjyese dhe janë pranë parajsës kur marrin ndihmë nga lart për të predikuar me fuqi.
Sa budallenj të gjorë jemi që predikojmë akoma ungjillin tonë “të vjetruar”! Na pëlqen me të vërtetë kjo gjë. Doktrinat tona të zymta na bëjnë shumë të lumtur. E çuditshme, apo jo? Ungjilli është qartësisht mish dhe dhjamë për ne dhe kredot tona – edhe pse sigurisht, janë absurde dhe jofilozofike – na kënaqin dhe na bëjnë shumë të sigurt dhe të lumtur. Mund të them për disa nga vëllezërit, se edhe sytë e tyre duket se shkëlqejnë dhe shpirtrat e tyre ndrijnë, kur flasin gjerë e gjatë për hirin falas dhe dashurinë deri në vdekje.
Kështu është pra vëllezër se kur ne kemi praninë e Perëndisë, atëherë ne dhe dëgjuesit tanë rrëmbehen me ëndje qiellore. Dhe kjo nuk është e gjitha. Kur Fryma e Perëndisë është e pranishme, çdo shenjtor e do shenjtorin tjetër dhe nuk ka konflikte mes nesh përveçse për faktin se kush tregohet më i dashur. Atëherë lutja është luftë dhe ngadhënjim dhe shërbesa është mbjellje e farës së mirë dhe vjelje e begatë duajsh me kallinj. Atëherë kthimet në besim janë të bollshme, rimëkëmbjet janë me bollëk dhe përparimet në hir shihen në çdo anë. Alelujah! Me Frymën e Perëndisë gjithçka shkon mirë.
Por a e dini gjendjen e kundërt? Shpresoj që jo. Është vdekje në jetë. Shpresoj se në eksperimentet tuaja shkencore nuk keni qenë aq mizorë sa të fusni një mi në një kuti nga ku nxirrni gradualisht ajrin me një pompë. Kam lexuar për këtë eksperiment fatal. Sa keq për miun e shkretë! Ndërkohë që ajri pakësohet gradualisht, sa të mëdha janë vuajtjet e tij dhe kur ajri mbaron, e gjen të ngordhur. A keni qenë ndonjëherë shpirtërisht në një kuti të tillë pa ajër? Keni qenë atje për aq kohë sa e keni kuptuar se sa më shpejt të largoheshit, aq më mirë për ju. Më tha dikush një ditë, “Mirë, sa për predikimin që dëgjova nga teologu bashkëkohor, nuk solli ndonjë dëm të madh, sepse në këtë rast ai qëndroi larg doktrinës së rreme, por ama gjithë predikimi ishte tejet i ftohtë. Pata ndjesinë sikur isha një njeri që kishte rënë në një akullnajë dhe m’u duk vetja si në një vend të mbyllur nga ku nuk mund ta thithja dot ajrin e qiellit.” Ju keni dëgjuar për të ftohtin arktik dhe ai mund të ndihet herë pas here, edhe madje kur doktrina është e shëndoshë. Kur Fryma e Perëndisë ka ikur, edhe vetë e vërteta bëhet një ajsberg. Sa i mjerë është besimi i ngrirë dhe pa jetë! Fryma e Shenjtë ka ikur dhe gjithë energjia dhe entuziazmi kanë shkuar bashkë me të. Skena bëhet si ajo e përshkruar te Marinari i Vjetër, kur anija ngeci diku:
“Vetë thellësia krejt e kalbur,
Sa keq, të ndodhte kështu sot!
Po, ata zvarriteshin të përbaltur
Mbi detin me baltë plot.”
Brenda anijes ishte vdekja. Dhe e kemi parë këtë edhe brenda një kishe. Jam i tunduar që të përdor rreshtat e Kolerixhit për shumë gjëra që shihen në ato kisha që meritojnë emrin “bashkësi të vdekurish.” Ai përshkruan se si trupat e të vdekurve u mbushën me frymë dhe anija eci përpara, ku çdo njeri i vdekur e përmbushi detyrën e tij në një mënyrë të vdekur dhe formale:
“Timonieri kapi timonin, anija para ecte;
Edhe pse as dhe një fllad nuk frynte;
Marinarët të gjithë me litarët punën nisën,
Dhe secili në vendin e vet punonte;
Gjymtyrët e tyre ata ngritën si vegla pa jetë
Një ekuipazh fantazmë ishim, askush nuk belbëzonte.”
Gjithë shoqëria e gjallë mungonte, sepse Marinari i Vjetër thotë:
“Trupi i djalit të vëllait tim
Qëndroi pranë meje, gju më gju:
Trupi dhe unë duke tërhequr një litar,
Por ai nuk më foli asnjë fjalë.”
Është pak a shumë e njëjta gjë në ato bashkësi “të respektueshme” ku askush nuk e njeh tjetrin dhe një veçim hijerëndë zëvendëson gjithë bashkëveprimin mes besimtarëve. Për predikuesin, nëse ai është njeriu i vetëm i gjallë në atë grup, kisha i ofron një shoqëri të tmerrshme. Predikimet e tij bien në veshë që nuk e dëgjojnë drejt.
“Ishte natë, natë e qetë, hëna e plotë,
Njerëzit e vdekur qëndronin bashkë.
Të gjithë bashkë qëndronin mbi kuvertë
Për një varr më të përshtatshëm:
Të gjithë m’i ngulën sytë e tyre të ngurtë,
Që në dritën e hënës shkëlqenin fort.”
Po, drita e hënës e predikuesit, e ftohtë dhe pa gëzim, bie mbi fytyra që janë njësoj. Ligjërata lë mbresa në intelektin e tyre të ftohtë dhe ngulit sytë e tyre të ngurtë; por zemrat! Jo, zemrat nuk parapëlqehen në ato vende. Zemrat janë për sferën e jetës, por pa Frymën e Shenjtë çfarë njohin bashkësitë nga jeta e vërtetë? Nëse Fryma e Shenjtë është larguar, vdekja mbretëron dhe kisha është një varr. Prandaj ne duhet t’i kërkojmë Atij që të qëndrojë brenda nesh dhe nuk duhet të reshtim kurrë deri sa ta realizojë. 0 vëllezër, mos ndodhtë që unë t’ju flas për këtë gjë dhe pastaj ta harrojmë, por secili prej nesh me shpirt dhe zemër të kërkojë që të ketë fuqinë e Frymës së Shenjtë duke qëndruar brenda secilit. A e kemi marrë Frymën e Shenjtë?
A është Ai me ne tani? Nëse është kështu, si mund të sigurohemi për praninë e Tij në të ardhmen? Si mund ta bëjmë që të qëndrojë me ne?
Do të thosha, së pari, trajtojeni ashtu si duhet trajtuar. Adhurojeni si Zotin Perëndi të adhurueshëm. Kurrë mos e quani Frymën e Shenjtë si “një gjë”, as mos flisni për Të sikur ai të ishte një doktrinë, apo një influencë, apo një mit ortodoks. Nderojeni, dojeni dhe kini te Ai një besim plot familjaritet dhe nderim. Ai është Perëndi dhe lëreni që të jetë Perëndi për ju.
Kujdesuni që të veproni në përputhje me punën e Tij. Marinari që lundron drejt lindjes nuk mund t’i krijojë erërat sipas dëshirës së vet, por ai e njeh erën e mbarë dhe përfiton nga koha e volitshme për të përshpejtuar anijen. Filloni udhëtimin e sipërmarrjes së shenjtë kur era qiellore është me ju. Shfrytëzojeni baticën e shenjtë kur të vijë.
I shtoni takimet kur mendoni se Fryma e Perëndisë po i bekon. Theksoni pa reshtur të vërtetën më me zell se asnjëherë tjetër kur Zoti është duke hapur veshët dhe zemrat për ta pranuar. Shpejt do ta kuptoni se po bie vesë dhe do ta çmoni shumë vizitën e hirshme. Populli thotë, “dita e mirë duket që në mëngjes.” Ju nuk mund ta bëni diellin të shkëlqejë; kjo është tërësisht jashtë fuqive tuaja, por ama mund ta shfrytëzoni diellin ndërsa shkëlqen. “Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm.” Ji i zellshëm orë e çast dhe orë e pa kohë, por në kohët e mbara, puno fort dyfish.
Gjithnjë, në fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e çdo pune të mirë, me vetëdije dhe me të vërtetë mbështetu te Fryma e Shenjtë. Madje Ai duhet të të japë edhe vetë ndjesinë e nevojës tënde për Të dhe lutjet me të cilat i përgjërohesh të vijë duhet të vijnë prej Tij. Je i angazhuar në një punë kaq shpirtërore, kaq jashtë gjithë fuqisë njerëzore, saqë të harrosh Frymën do të thotë të sigurosh disfatën. Bëjeni Frymën e Shenjtë të jetë sine qua non në përpjekjet tuaja dhe shkoni deri atje sa t’i thoni, “Në qoftë se prania Jote nuk vjen me ne, mos na nis që këtej.” Gjeni prehje vetëm te Ai dhe pastaj jepjani Atij gjithë lavdinë. Jini të vëmendshëm këtu, sepse Ai është i ndjeshëm në lidhje me këtë gjë: Ai nuk ia jep lavdinë e Tij askujt tjetër. Kujdesuni që ta lavdëroni Frymën e Perëndisë nga thellësia e zemrës dhe me mirënjohje mrekullohuni që begenisi të punonte nëpërmjet jush. Jepini kënaqësi duke përlëvduar Krishtin. Nderojeni duke iu dorëzuar shtysave të Tij dhe duke urryer çdo gjë që e pikëllon. Kushtimi i gjithë qenies suaj do të jetë psalmi më i mirë për lavdërim të Tij. Ka disa gjëra që dua që ju t’i kujtoni dhe pastaj do të kem përfunduar. Kujtoni që Fryma e Shenjtë ka mënyrat dhe metodat e Tij dhe ka disa gjëra që Ai nuk do t’i bënte. Sillni ndërmend se Ai nuk bën premtime për të bekuar kompromise. Nëse bëjmë një marrëveshje me gabimin ose mëkatin, i bëjmë dëm vetes. Nëse bëjmë ndonjë gjë për të cilën nuk jemi të kthjellët, nëse korruptojmë të vërtetën ose shenjtërinë, nëse jemi miq të botës, nëse i kënaqim dëshirat e mishit, nëse predikojmë me gjysmë zemre dhe kemi bërë aleancë me mësuesit e rremë, nuk kemi premtimin se Fryma e Shenjtë do të jetë me ne. Premtimi i madh shkon në kahun e kundërt: “Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t`ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”
Vetëm në këtë vend në Testamentin e Ri, me përjashtim të librit të Zbulesës, Perëndia thirret me emrin “Zoti i Plotfuqishëm.”
Nëse doni të dini se çfarë gjërash të mëdha mund të bëjë Zoti, si Zoti Perëndi i plotfuqishëm, ndahuni nga bota dhe nga ata që heqin dorë nga e vërteta. Titulli, “Zoti Perëndi i Plotfuqishëm” pa dyshim që është cituar nga Testamenti i Vjetër. “El-Shadai”, Perëndia i gjithë mjaftueshëm. Nuk do ta njohim kurrë fuqinë maksimale të Perëndisë për plotësimin e gjithë nevojave tona, deri sa të kemi prerë lidhjet një herë e përgjithmonë me çdo gjë që nuk është sipas vullnetit të Tij. Ishte diçka fisnike nga ana e Abrahamit kur ai i tha mbretit të Sodomës, “Nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket,” – ndonjë rrobë babilonase, apo ndonjë kallëp ari? Jo, jo. Ai tha, “nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh.” Kjo ishte shpërfillje e plotë. Njeriu i Perëndisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje me Sodomën ose me doktrinën e rreme. Nëse sheh diçka që është e ligë, shpërfille krejtësisht. Shkëputu prej atyre që janë shkëputur nga e vërteta. Veç atëherë do të jesh i përgatitur për të marrë premtimin, por jo deri atëherë.
Vëllezër të dashur, mbani mend se kudo ku ka dashuri të madhe, do të ketë edhe xhelozi të madhe. “Dashuria është e fortë si vdekja.” Po më pas? “Xhelozia është e ashpër si Sheoli.” “Perëndia është dashuri” dhe për këtë arsye “Zoti, Perëndia yt është një Perëndi xheloz.” Qëndroni larg çdo gjëje që është e ndotur ose që trishton Frymën e Shenjtë, sepse nëse Ai lëndohet nga ne, shumë shpejt do të turpërohemi para armikut.
Mbani shënim më pas, se Ai nuk i bën premtime burracakërisë. Nëse e lejoni frikën e njeriut t’ju sundojë dhe doni që të shpëtoni veten nga vuajtja ose përqeshja, do të gjeni pak ngushëllim në premtimin e Perëndisë. “Kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë.” Premtimet e Frymës së Shenjtë për ne në luftën tonë janë për ata që mohojnë veten dhe me anë të besimit bëhen të fortë në orën e konfliktit. Uroj që të kemi arritur deri aty sa të përbuzim tërësisht përqeshjen dhe shpifjen.
Uroj që të kemi vetëmohimin e atij martiri italian për të cilin flet Foksi! Ata e dënuan që të digjej i gjallë dhe ai e dëgjoi dënimin me qetësi. Mirëpo ja që, djegia e martirëve, sado argëtuese, është gjithashtu e kushtueshme; dhe kryebashkiaku i qytetit nuk e vrau mendjen për të paguar për turrën e druve dhe priftërinjtë që kishin ngritur akuzën, donin gjithashtu të mbaronin punë pa paguar nga xhepi i vet. Në këtë mënyrë pati një zënkë plot zemërim dhe ja aty qëndronte ky njeri i gjorë për të cilin do të sigurohej turra e druve, duke dëgjuar me qetësi fajësimet e tyre të ndërsjella. Duke parë se ata nuk mund ta zgjidhnin çështjen, ai tha: “Zotërinj, do t’i jap fund debatit tuaj. Është për të ardhur keq që ju, secili prej jush, të harxhojë kaq shumë për të gjetur dru për djegien time për së gjalli dhe për hir të Zotit tim, jam i gatshëm të paguaj madje edhe për drutë që do të më djegin, nëse dëshironi.”
Ka një ngjyrim përçmimi dhe zemërbutësie këtu. Nuk e di nëse do ta kisha paguar atë faturë, por jam ndier si i prirur për të bërë diçka të pazakontë për të ndihmuar armiqtë e së vërtetës për të mbajtur ndezur zjarrin e kritikave të tyre ndaj meje. Po, po; do të tregohem akoma më i poshtër dhe do t’u jap atyre më shumë material për t’u ankuar. Unë do ta vazhdoj polemikën për hir të Krishtit dhe nuk do të bëj asgjë për të qetësuar zemërimin e tyre. Vëllezër, nëse toleroni sadopak, nëse përpiqeni që të shpëtoni pak nga reputacioni juaj me njerëzit e apostazisë, gjërat do të shkojnë keq për ju. Atij që i vjen turp për Krishtin dhe Fjalën e Tij mes këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar do të shohë se Krishtit do t’i vijë turp për të në fund.
Nuk do të marr shumë kohë me pikat e mbetura. Kujtoni më pas se Fryma e Shenjtë nuk do t’i vërë kurrë vulën e Tij gënjeshtrës. Kurrë! Nëse çfarë predikoni nuk është e vërteta, Perëndia nuk do ta miratojë. Tregoni shumë kujdes me këtë gjë. Për më tepër Fryma e Shenjtë nuk i vë kurrë nënshkrimin e Tij boshllëkut Kjo nuk do të ishte urtësi nga ana e njeriut dhe Zoti i shenjtë nuk do ta bënte një marrëzi të tillë. Nëse nuk e shprehim me qartësi doktrinën e shkoqur, Fryma e Shenjë nuk do të vendosë nënshkrimin e Tij në llomotitjet tona boshe. Nëse nuk deklarojmë hapur Krishtin dhe Atë të kryqëzuar, mund t’i themi lamtumirë suksesit të vërtetë.
Më pas, kujtoni se Fryma e Shenjtë nuk do ta aprovojë kurrë mëkatin dhe të bekoje shërbesën e disa njerëzve do të thoshte të aprovoje rrugët e tyre të liga. “Jini të pastër, si u ka hije enëve të Zotit.” Karakteri juaj le t’i korrespondojë mësimit tuaj dhe kishat tuaja le të pastrohen nga ata që janë haptas shkelës, përndryshe Fryma e Shenjtë nuk do ta miratojë mësimin tuaj, jo për hir të vetë mësimit, por për shkak të shijes së keqe të jetesës së pashenjtë që e çnderon Atë.
Mbani mend, përsëri, se Ai nuk do ta inkurajojë kurrë përtacinë. Fryma e Shenjtë nuk do të vijë për të na shpëtuar nga pasojat e neglizhencës të vullnetshme të Fjalës së Perëndisë dhe studimit. Nëse e lejojmë veten që të shkojmë lart e poshtë gjithë javën pa bërë asgjë, nuk mund të ngjitemi në shkallët e podiumit duke ëndërruar se Zoti do të jetë atje duke na treguar më pas çfarë të themi. Nëse do t’i premtohej ndihmë njerëzve të tillë, atëherë sa më dembel predikuesi, aq më i mirë predikimi. Nëse është gabim të citosh nga librat, atëherë leximi i librave nuk do të ishte detyrim. E gjitha kjo është sigurisht absurde dhe askush prej jush nuk duhet të bjerë në një iluzion i tillë.
Ne e kemi për detyrim që të meditojmë shumë, t’i jepemi plotësisht Fjalës së Perëndisë dhe lutjes, dhe veç mbasi t’i kemi kushtuar kujdes këtyre gjërave mund të kërkojmë miratimin dhe bashkëpunimin e Frymës. Ne duhet ta përgatisim predikimin sikur të varej prej nesh dhe pastaj duhet t’ia besojmë Frymës së Perëndisë duke e ditur se gjithçka varet prej Tij. Fryma e Shenjtë nuk dërgon askënd në të korra për të fjetur mes kallinjve, por për të mbajtur barrën dhe për të duruar nxehtësinë e ditës. Do të ishte me vend t’i lutemi Perëndisë që të dërgojë më tepër “punëtorë” në vresht, sepse Fryma do të jetë me forcën e punëtorëve, por ama nuk do të jetë mik i njerëzve që sorollaten.
Kujtoni përsëri se, Fryma e Shenjtë nuk do të na bekojë për të mbështetur krenarinë tonë. A nuk është e mundur që të jemi duke kërkuar për një bekim të madh në mënyrë që të tjerët të na konsiderojnë si njerëz të shquar? Kjo do ta pengojë suksesin tonë: teli i harkut është jashtë përdorimit dhe shigjeta nuk do të gjuajë në shenjë. Çfarë bën Perëndia me njerëz të tillë që janë krenarë? A i lartëson vallë? Mendoj se jo. Herodi bëri një ligjëratë elokuente, veshi një rrobë të shndritshme argjendi që shkëlqente në diell, dhe kur njerëzit panë rrobat e tij, dhe dëgjuan zërin e tij të këndshëm, thërritën, “Zë i Perëndisë dhe jo i njeriut”, mirëpo Zoti e goditi dhe atë e brejtën krimbat. Krimbat kanë autoritet mbi mishin krenar dhe kur ne mbahemi me të madh, krimbat presin që të na kthejnë në vaktin e tyre. “Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.”
Qëndroni të përulur nëse doni ta keni Frymën e Perëndisë me ju. Fryma e Perëndisë nuk gjen kënaqësi në oratorinë e fryrë të njerëzve krenarë; si do të ishte ndryshe vallë? A doni që Ai të aprovojë pompozitetin? “Ec përulësisht me Perëndinë tënd”, o predikues! Sepse nuk mund të ecësh me Të në ndonjë mënyrë tjetër dhe nëse nuk ecën me Të, ecja jote do të jetë e kotë.
Merrni në konsideratë përsëri se Fryma e Shenjtë nuk do të banojë atje ku ka grindje. Le të ndjekim paqen me gjithë njerëzit dhe sidomos le të ruajmë paqen në kishat tona. Disa prej jush nuk e kanë pasur akoma këtë favor dhe mbase nuk është faji juaj. Ju keni trashëguar mëritë e vjetra. Në një komunitet të vogël, gjithë pjesëtarët e bashkësisë janë kushërinj me njeri-tjetrin dhe kushërinjtë zakonisht bien në një mendje që të mos jenë në një mendje. Kur kushërinjtë gënjejnë kushërinjtë, farat e keqdashjes janë mbjellë dhe këto depërtojnë edhe në jetën e kishës. Arroganca e paraardhësit tuaj në të kaluarën mund të shkaktojë shumë zënka për shumë vite të tjera. Ai ishte njeri grindjembjellës që nga rinia e tij dhe madje, edhe mbasi u largua, frymërat që i kishte thirrur nga thellësia kanë mbetur akoma duke e fanitur atë vend.
Kam frikë se nuk mund të prisni shumë bekim, sepse Pëllumbi i Shenjtë nuk banon pranë ujërave të trazuara: Ai zgjedh të vijë atje ku dashuria vëllazërore vazhdon. Për parime të mëdha dhe çështje të disiplinës së shenjtë, ne mund të rrezikojmë vetë paqen, por për gjëra personale dhe të një grupi të caktuar njerëzish qoftë larg nesh një sjellje e tillë.
Së fundi, mbani mend se Fryma e Shenjtë bekon vetëm në përputhje me qëllimin e Tij të përcaktuar. Zoti ynë e shpjegon se cili është ky qëllim: “Ai do të më përlëvdojë.” Ai ka ardhur për këtë qëllim të madh dhe nuk do të kënaqet me diçka më pak. Nëse atëherë nuk predikojmë Krishtin, çfarë ka të bëjë Fryma e Shenjtë me predikimin tonë? Nëse nuk e bëjmë Zotin Jezus të lavdishëm, nëse nuk e lartësojmë para njerëzve, nëse nuk punojmë për ta bërë Mbret të mbretërve dhe Zot të zotërve, nuk do ta kemi Frymën e Shenjtë me ne. E kotë do të jetë retorika, muzika, arkitektura, energjia dhe statusi social: nëse synimi ynë i vetëm nuk është lavdërimi i Zotit Jezus, atëherë do të punojmë vetëm dhe do të punojmë më kot.
Kjo është e gjitha që kam për të thënë sot, por vëllezërit e mi, ka vlerë të madhe nëse shqyrtohet së pari dhe pastaj vihet në zbatim. Pastë kjo fjalë ndikim praktik tek ne! Do të ketë ndikim medoemos, nëse Punëtori i madh e përdor, përndryshe aspak. Shkoni përpara o ushtarë të Jezusit, me “shpatën e Frymës, që është shpata e Perëndisë.” Shkoni përpara me gjithë ata njerëz të perëndishëm që ju udhëhiqni dhe le të jetë çdo njeri i fortë në Zotin dhe në fuqinë e forcës së Tij. Si njerëz të gjallë nga të vdekurit, shkoni përpara në fuqinë ripërtëritëse të Frymës së Shenjtë: ju nuk keni asnjë forcë tjetër. Qëndroftë mbi ju bekimi i Perëndisë Trini, mbi secilin, për hir të Zotit Jezu Krisht! Amen.
Copyright ©
Kisha e Hirit, Tiranë, kishaehirit.org
& spurgeonshqip.org
[1] Fshehtas
[2] Shënim i përkthyesit: Në vitet 1887-88 ishte kulmi i asaj që njihet si Polemika e Degradimit (the Downgrade Controversy) ku Spurgeon u përfshi drejtpërsëdrejti kundër atyre teologë, shkollarë e pastorë liberalë (të quajtur Degradues) që po zhvlerësonin dhe po largoheshin gradualisht nga doktrinat themelore të ungjillit, si p.sh, hyjnia e Jezusit, pagabueshmëria e Fjalës etj.