1 dhjetor-mëngjes
“Ti ke bërë verën dhe dimrin.”
{Psalmi 74:17}
Shpirti im, fillo këtë muaj dimri me Perëndinë tënd. Bora e ftohtë dhe erërat e acarta, të gjitha të kujtojnë se Ai e ruan besëlidhjen e Tij me ditën dhe natën, dhe priren të të sigurojnë ty se Ai do të ruajë gjithashtu atë besëlidhje të lavdishme që ka bërë me ty në personin e Krishtit Jezus. Ai që i është besnik Fjalës së Tij në kalimin e stinëve të kësaj bote të ndotur prej mëkatit, nuk do të jetë i pabesë me vetë Birin e Tij të shumëdashur.
Dimri në shpirt nuk është në asnjë mënyrë një stinë e rehatshme dhe nëse po ndodh kështu me ty pikërisht tani, do të jetë shumë e dhimbshme për ty, por mbetet ky ngushëllim, domethënë, se Zoti e sjell këtë gjë. Ai dërgon goditjet e forta të kundërshtisë për të mbytur sythin e pritjes; Ai shpërndan brymën si pluhur mbi lëndinat një herë e një kohë të gjelbërta të gëzimit tonë; Ai dërgon akullin e Tij si thërrmija duke ngrirë ujërat e kënaqësisë sonë. Është Ai që i bën këto të gjitha, Ai është Mbreti i madh i dimrit dhe mbretëron në botën e ngricës; kështu që ti nuk mund të murmuritësh dot. Humbjet, kryqet, pikëllimet, sëmundja, varfëria dhe një mijë sëmundje të tjera, janë të gjitha dërgesat e Zotit dhe vijnë të ne me qëllim të urtë. Ngrica vret insektet e dëmshme dhe vë një kufi për sëmundjet e tërbuara; ato thërrmojnë plisat dhe zbusin tokën. Oh të tilla rezultate të mira ndjekshin përherë dimrat tonë të dhembjes!
Sa e çmojmë zjarrin pikërisht tani! sa i këndshëm është shkëlqimi i tij i gëzueshëm! Le të çmojmë në të njëjtën mënyrë Zotin tonë, i Cili është burimi i vazhdueshëm i ngrohtësisë dhe i ngushëllimit në çdo kohë telashi. Le të afrohemi afër Tij dhe në Të të gjejmë gëzim dhe paqe duke besuar. Le të mbështillemi me teshat e ngrohta të premtimeve të Tij dhe të nisim punë që i përshtaten stinës, sepse do të ishte keq të jesh si ai përtaci që nuk do që të punojë për shkak të të ftohtit, sepse ai do të lypë në verë dhe nuk do të ketë asgjë.
1 dhjetor-mbrëmje
“Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e Tij dhe për mrekullitë e Tij në dobi të bijve të njerëzve.”
{Psalmi 107 :8}
Nëse do të qaheshim më pak dhe të lavdëronim më tepër, do të ishim më të lumtur dhe Perëndia do të lavdërohej më tepër akoma. Le të lavdërojmë përditë Perëndinë për mëshirat e zakonshme—të zakonshme ashtu siç i thërrasim ato dhe prapëseprapë kaq të çmueshme, sa që kur nuk i kemi më, jemi gati të vdesim. Le të bekojmë Perëndinë për sytë që shikojnë diellin, për shëndetin dhe forcën për të ecur, për bukën që hamë, për rrobat që veshim. Le ta lavdërojmë Atë se nuk jemi hedhur jashtë midis të pashpresëve, ose të mbyllur midis fajtorëve; le ta falënderojmë Atë për lirinë, për miqtë, për mbledhjet familjare dhe lehtësirat; le ta lavdërojmë Atë, në fakt, për çdo gjë që e marrim prej dorës së Tij bujare, sepse meritojmë pak dhe prapëseprapë na është dhuruar shumë.
Por, të dashur, notat më të larta dhe më të ëmbla në këngët tona të lavdërimit duhet të jenë notat e dashurisë shpenguese. Veprimet shpenguese të Perëndisë kundrejt të zgjedhurve të Tij janë përherë temat e preferuara të lavdërimeve të tyre. Nëse e dimë se çfarë do të thotë shpengimi, le të mos kursejmë sonatat tona të falënderimit. Ne jemi shpenguar prej pushtetit të korruptimeve tona, jemi ngritur prej thellësisë së mëkatit ku natyrshëm ishim zhytur. Ne jemi shpjerë në kryqin e Krishtit—prangat e fajit janë thyer tashmë; ne nuk jemi më skllevër, por bijë dhe bija të Zotit të gjallë dhe mund të parashikojmë periudhën kur do të paraqitemi përpara fronit pa njollë ose rrudhë ose ndonjë gjë të ngjashme. Madje dhe tani ne valëvisim degën e palmës dhe e mbështjellim veten me të linjta të hirshme që do të jenë veshja jonë e përjetshme; a nuk do të falënderonim vallë pa pushuar Zotin Shpenguesin tonë? Fëmijë i Perëndisë, a rri dot në heshtje? Zgjohuni, zgjohuni, ju trashëgimtarë të lavdisë dhe burgosni burgosjen tuaj, teksa thërrisni me Davidin, “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e Tij të shenjtë.” Ky muaj i ri le të fillojë me këngë të re.
2 dhjetor-mëngjes
“Ti je e tërë e bukur, mikja ime.”
{Kantiku i kantikëve 4 :7}
Admirimi i Zotit për kishën e Tij është i mrekullueshëm dhe përshkrimi i bukurisë së saj është shumë rrezellitës. Ajo nuk është thjesht e bukur, por “e tërë e bukur.” Ai e shikon atë në Veten e Tij, të larë nga mëkatet prej gjakut të tij shlyes, e veshur me drejtësinë e Tij të lavdërueshme dhe Ai e konsideron plot me hijeshi dhe bukuri. Nuk është për t’u çuditur për një gjë të tillë, përderisa është vetë shkëlqesinë e Tij të përkryer që Ai admiron, sepse shenjtëria, lavdia dhe përkryerja e kishës së Tij janë vetë veshjet e Tij të lavdishme që mban nusja e Tij e shumëdashur. Ajo nuk është thjesht e pastër, ose e pajisur; ajo është realisht e këndshme dhe e bukur! Ajo ka vlerë të vërtetë! Shtrembërimet e mëkatit të saj janë hequr, por akoma më tepër, përmes Zotit ajo ka fituar një drejtësi të lavdishme me anë të cilës një bukuri e vërtetë i është dhënë.
Besimtarët kanë një drejtësi të sigurtë që ju është dhënë kur bëhen “të pëlqyer në të dashurin Birin e Tij.” {Efezianët 1 :6} Po ashtu kisha nuk është thjesht e dashur, ajo është e dashur në shkallën më të lartë. Zoti e quan atë “o më e bukura e grave.” Ajo ka një vlerë të vërtetë dhe shkëlqesi që nuk mund të rivalizohet qoftë dhe nga e gjithë fisnikëria dhe familjet mbretërore të botës. Nëse Jezusi do të mundte të shkëmbente nusen e Tij të zgjedhur me të gjitha mbretëreshat dhe perandoreshat e tokës, ose edhe me engjëjt e tokës, Ai nuk do ta bënte një gjë të tillë, sepse Ai e vendos atë të parën dhe në pozicionin më të lartë—”më e bukura e grave.” Ashtu si hëna ajo ia kalon në shkëlqim yjeve. Po ashtu ky nuk është një mendim për të cilin i vjen zor, sepse Ai fton të gjithë njerëzit për ta dëgjuar atë. Ai vendos një “sa” përpara tij, një thirrje e veçantë, duke ftuar dhe ndalur vëmendjen. “Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je!” Mendimin e Tij Ai e publikon edhe tani dhe një ditë, prej fronit të lavdisë së Tij, Ai do të pohojë këtë të vërtetë përpara gjithë universit të mbledhur bashkë. “Ejani, të bekuar të Atit tim,” {Mateu 25 :34}, do të jetë pohimi solemn i hijeshisë së të zgjedhurve të Tij.
2 dhjetor-mbrëmje
“Dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota.”
{Predikuesi 1 :14}
Asgjë nuk mund ta kënaqë gjithë qenien e njeriut përveçse dashuria e Zotit dhe vetë Zoti. Shenjtorët janë përpjekur për të hedhur spiranca në radë të tjera, por ato janë përzënë prej të tilla strehimesh vdekjeprurëse. Solomoni, më i urti i njerëzve, u lejua të kishte përjetime për ne të gjithë dhe për të bërë për ne atë që ne nuk duhet të guxojmë të bëjmë për veten tonë. Këtu gjejmë dëshminë e tij në vetë fjalët e tij : “Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua. Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t`i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.” “Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi.” Çfarë! e gjitha kotësi? O monark i favorizuar, me të vërtetë a nuk ka asgjë në gjithë pasurinë tënde? Asgjë në atë zotërim të gjerë që arrin prej lumit deri në det? Asgjë në pallatet e shkëlqyera? Asgjë në shtëpinë prej druri të Libanit?
Në gjithë kërcimet dhe meloditë, verën dhe luksin, nuk ka vallë asgjë? “Asgjë,” thotë ai, “përveçse rëndim fryme.” Ky ishte përfundimi ku arriti mbasi pati përshkuar gjithë rrethin e kënaqësisë. Nëse Jezusi është i yni, nëse qëndrojmë në dashurinë e Tij dhe nëse jemi krejtësisht të sigurtë për bashkimin me Të—kjo është gjithçka në gjithçka. Lexues i dashur, nuk ke nevojë për të provuar gjëra të tjera në këtë jetë me qëllim për të parë nëse janë më mirë se ato të krishterat; nëse bredh botën, nuk do të shikosh asnjë pamje si pamja e fytyrës së Shpëtimtarit; nëse do të kishe të gjitha lehtësitë e jetës dhe të humbje Shpëtimtarin tënd, do të ishe një i gjorë, por nëse fiton Krishtin, atëherë edhe sikur të kalbeshe në një birucë, do të të dukej një parajsë; edhe sikur të jetoje në errësirë, ose të vdisje prej zisë së bukës, prapëseprapë do të ishe i kënaqur me favor dhe plot me mirësinë e Zotit.
3 dhjetor-mëngjes
“Nuk ka në ty asnjë të metë.”
{Kantiku i kantikëve 4 :7}
Mbasi e ka shpallur Kishën e Tij realisht plot me bukuri, Zoti ynë e përforcon lavdërimin e Tij me një pohim të çmueshëm, “Nuk ka në ty asnjë të metë”. Në mënyrë që nusja të mos mendonte se bota keqdashëse mund të aludonte se Ai ka përmendur veç anët e saj të hijshme dhe qëllimisht ka lënë jashtë ç’ka është e shtrembëruar ose e fëlliqur, Ai i përfshin të gjitha duke e shpallur atë universalisht, tërësisht të bukur dhe tërësisht pa njollë. Një njollë mund të hiqet shpejt dhe është gjëja më e vogël që mund të shpërfytyrojë bukurinë, por edhe prej kësaj të mete të vogël besimtari është i çliruar nën sytë e Zotit. Nëse Ai do të kishte thënë se nuk ka ndonjë vurratë të shëmtuar, nuk ka shtrembërim të tmerrshëm, as ulcerë vdekjeprurëse, edhe në këtë rast do të ishim mahnitur, por kur Ai vërteton se ajo është e çliruar edhe prej njollës më të vogël, të gjitha këto forma të tjera shpërfytyrimi janë të përfshira dhe habia rritet akoma më shumë. Nëse do të kishte premtuar të hiqte të gjitha njollat pak nga pak, do të kishim arsye të përjetshme për gëzim, por kur Ai flet për këtë gjë si tashmë të kryer, kush vallë mund t’i përmbajë emocionet më të fuqishme të kënaqësisë dhe ëndjes? O shpirti im, këtu ka palcë dhe dhjam për ty; ha plot dhe ji i kënaqur me gjellë mbretërore.
Krishti Jezus nuk grindet me nusen e Tij. Ajo shpesh hallakatet larg Tij dhe trishton Frymën e Tij të Shenjtë, por Ai nuk lejon që fajet e saj të prekin dashurinë e Tij. Ai ndonjëherë qorton, por gjithmonë në mënyrën më të butë, me qëllimet më të mira; mbetet “mikja ime” edhe në këto raste. Çmenduritë tona nuk kujtohen, Ai nuk ushqen mendime jo të mira për ne, por na fal dhe na do si para po ashtu mbrapa shkeljes. Është mirë për ne që është kështu, sepse nëse Jezusi do të ishte kaq i vëmendshëm për fajet tona sa jemi ne, si do të mundte vallë të kishte shoqërim me ne? Shumë shpesh një besimtar nuk është i kënaqur me Zotin për ndonjë ndryshim të vogël providence, por Dhëndri ynë i çmuar i njeh zemrat tona të pamend shumë mirë duke mos u sjellë ndaj shkeljeve tona sipas sjelljes sonë të pakëndshme.
3 dhjetor-mbrëmje
“Zoti i fortë në betejë.”
{Psalmi 24 :8}
Perëndia ynë meriton të jetë i lavdishëm në sytë e njerëzve të Tij, duke parë se Ai ka kryer kaq mrekulli për ta, në ta dhe me anë të tyre. Për ta, Zoti Jezus mbi Kalvar shkatërroi çdo armik, duke thyer copë copë të gjitha armët e armikut me anë të veprës së Tij të përfunduar të bindjes që gjeti miratim; me anë të ringjalljes së Tij triumfuese dhe ngritjes së Tij lart Ai përmbysi tërësisht shpresat e ferrit duke burgosur burgosjen, duke turpëruar armiqtë dhe duke ngadhënjyer mbi ta në Kryq. Çdo shigjetë faji që satani mund të ketë hedhur drejt nesh është tashmë e thyer, sepse kush mund të akuzojë vallë të zgjedhurin e Perëndisë? Të kota janë shpatat e mprehta të ligësisë së ferrit dhe betejat e vazhdueshme të farës së gjarprit, sepse në mes të kishës janë çalamanët ata që marrin prenë dhe janë luftëtarët më të dobët ata që kurorëzohen.
Të shpëtuarit bëjnë mirë të adhurojnë Zotin e tyre për fitoret e Tij brenda tyre, përderisa shigjetat e urrejtjes së tyre natyrore janë të thyera dhe armët e rebelimeve të tyre janë të shkërmoqura. O çfarë fitoresh ka arritur hiri në zemrat tona të liga! Sa i lavdishëm që është Jezusi kur vullneti është i nënshtruar dhe mëkati i shfronësuar! Përsa i përket korruptimeve tona mbetëse, ato do të pësojnë një humbje po aq të sigurtë dhe çdo tundim, dyshim dhe frikë, do të shkatërrohet tërësisht. Në Salemin e zemrave tona të paqshme, emri i Jezusit është i madh përtej çdo krahasimi; Ai ka fituar dashurinë tonë dhe do ta mbajë atë. Po aq me siguri ne vetë mund të presim për fitore. Ne jemi më shumë se fitimtarë me anë të Atij që na deshi. Ne do të hedhim poshtë fuqitë e errësirës që janë në botë, me anë të besimit tonë, zellit dhe shenjtërisë sonë; ne do të fitojmë mëkatarë për Jezusin, do të përmbysim sisteme të rreme, do të kthejmë në besim kombe, sepse Perëndia është me ne dhe askush nuk do të mund të na bëjë ballë. Këtë mbrëmje luftëtari i krishterë le të këndojë këngën e luftës dhe të përgatitet për betejën e së nesërmes. Ai që është brenda nesh është më i madh se ai që është në botë.
4 dhjetor-mëngjes
“Kam një popull të madh në këtë qytet.”
{Veprat 18:10}
Ky duhet të jetë një inkurajim i madh për t’u përpjekur për të bërë mirë, përderisa Perëndia ka mes më të poshtërve të më të poshtërve, mes më të paskrupujve, më të shthururve dhe mes pijanecëve më të këqij, një popull të zgjedhur që duhet të shpëtohet. Kur i sillni atyre Fjalën, e bëni sepse Perëndia ju ka caktuar për të qenë korrieri i jetës për shpirtrat e tyre dhe ata duhet ta pranojnë atë, sepse kështu ka caktuar dekreti i paracaktimit. Ata janë të shpenguar me gjak po aq sa shenjtorët përpara fronit të përjetshëm. Ata i përkasin Krishtit dhe prapëseprapë ata janë ndoshta pijedashës dhe urryes të shenjtërisë, por nëse Jezu Krishti i ka blerë, Ai do t’i zotërojë. Perëndia nuk është i pabesë për të harruar çmimin që Biri i Tij pagoi. Ai nuk do të lejojë zëvendësimin e Tij të jetë në ndonjë farë mënyre një gjë e vdekur, e paefektshme. Dhjetëra mijëra midis të shpenguarve nuk janë akoma të ripërtëritur, por ama të ripërtëritur ata duhet të jenë; dhe ky është ngushëllimi ynë kur ne shkojmë drejt tyre me Fjalën ringjallëse të Perëndisë.
Po, për më tepër, këta të papërshpirtshëm janë objekt i lutjeve të Krishtit përpara fronit. “Tani unë nuk lutem vetëm për ta,” tha Ndërmjetësi i madh, “por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre.” Shpirtra të paditur dhe të gjorë, ata nuk dinë të luten për vetveten, por Jezusi lutet për ta. Emrat e tyre janë në parzmoren e Tij dhe nuk do të kalojë shumë kohë kur ata do të përkulin gjunjët e tyre të pabindur, duke nxjerrë psherëtimën e pendesës përpara fronit të hirit. “Nuk ishte koha e fiqve.” Çasti i paracaktuar nuk ka goditur akoma; por, kur ai vjen, ata do të binden, sepse Perëndia do të ketë ata që i përkasin; ata duhet të binden, sepse Fryma nuk mund të përballohet kur Ai vjen me plotësi fuqie—ata duhet të bëhen shërbëtorët e vullnetshëm të Perëndisë të gjallë. “Populli im do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tim.” “Ai do të bëjë të drejtë shumë veta.” “Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij.” “Do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit.”
4 dhjetor-mbrëmje
“Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.”
{Romakëve 8:23}
Ky rënkim është universal midis shenjtorëve; në një shkallë të madhe ose të vogël ne të gjithë e ndjejmë atë. Nuk është rënkimi i murmuritjes ose i ankimit; është më tepër shenjë dëshire se sa trishtimi. Meqë kemi marrë një kapar, ne dëshirojmë të gjithë pjesën tonë; ne dëshirojmë që e gjithë qenia jonë, në trinitetin e saj të frymës, shpirtit dhe trupit, të mund të çlirohet prej mbeturinës së fundit të rënies; ne dëshirojmë me zjarr të zhveshim korruptimin, dobësinë, çnderimin dhe të mbështillemi në mosprishje, në pavdekësi, në lavdi, në trupin shpirtëror që Zoti Jezus do t’i japë popullit të Tij. Ne dëshirojmë me zjarr shfaqjen e adoptimit tonë si fëmijë të Perëndisë. “Ne rënkojmë,” por është “në veten tonë.” Nuk është rënkimi i hipokritit, me anë të cilit ai do të donte t’i bënte njerëzit të besonin se është shenjtor për shkak se është i gjorë.
Rënkimet tona janë gjëra të shenjta, tepër të shenjta për t’u treguar. Ne i ruajmë rënkimet tona për Zotin vetëm. Më pas apostulli thotë se ne jemi “duke pritur,” gjë që na mëson se nuk duhet të jemi të rrëmbyer, si Jona ose Elia, ndërsa thanë, “le të vdes,” po ashtu nuk duhet të qaravitemi dhe të rënkojmë për fundin e jetës ngaqë jemi të lodhur nga puna, ose të dëshirojmë të shpëtojmë prej vuajtjeve tona të tanishme, derisa vullneti i Zotit të bëhet. Ne duhet të rënkojmë për lavdinë, por duhet ta presim me durim atë, duke ditur se Zoti cakton më të mirën. Të presësh nënkupton të jesh gati. Ne duhet të qëndrojmë te porta duke pritur për Shumëtëdashurin për t’ia hapur dhe për të na marrë me vete. Ky “rënkim” është një test. Mund ta gjykosh një njeri mbas asaj që rënkon. Disa njerëz rënkojnë mbas pasurisë—ata adhurojnë mamonin; disa rënkojnë vazhdimisht nën telashet e jetës—ata janë thjesht të paduruar, por njeriu që rënkon mbas Perëndisë, që nuk ndjehet mirë derisa të jetë bërë si Krishti, ky është njeriu i bekuar. Perëndia na ndihmoftë të rënkojmë mbas ardhjes së Zotit dhe mbas ringjalljes që do të na japë.
5 dhjetor-mëngjes
“Lypni dhe do t’ju jepet.”
{Mateu 7:7}
Ne njohim një vend në Angli që ekziston akoma, ku çdo kalimtari që e kërkon ndihmohet me bukë. Kushdo qoftë udhëtari, ai nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse të trokasë te dera e Spitalit Kryqi i Shenjtë dhe i jepet bukë. Jezu Krishti aq shumë i do mëkatarët sa ka ndërtuar një Spital të Kryqit të Shenjtë, kështu që sa herë që një mëkatar është i uritur, ai mund të trokasë atje dhe të gjitha nevojat e tij do të përmbushen. Po, madje Ai ka bërë më mirë se kaq; Ai i ka shtuar Spitalit të Kryqit një burim; dhe kurdoherë që një shpirt është i zi dhe i fëlliqur, nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse të shkojë atje dhe të lahet. Burimi është përherë plot, përherë i efektshëm. Asnjë mëkatar nuk shkoi atje duke zbuluar se nuk mund t’i lante dot njollat e tij. Mëkatet që ishin flakë të kuqe u zhdukën të gjitha dhe mëkatari është bërë më i bardhë se bora.
Sikur kjo të mos mjaftonte, këtij Spitali të Kryqit i është shtuar edhe një gardërobë dhe një mëkatar që paraqitet thjesht si një mëkatar, mund të vishet nga këmbët te koka; dhe nëse ai dëshiron të jetë një ushtar, ai nuk mund të ketë thjesht një veshje të zakonshme, por një armaturë që do ta mbulojë prej këmbëve te koka. Nëse ai kërkon një shpatë do t’i jepet dhe një mburojë gjithashtu. Asgjë që është e mirë për të nuk do t’i mohohet. Ai do të ketë para për të shpenzuar aq gjatë sa jeton dhe ai do të ketë një trashëgimi të përjetshme thesari të lavdishëm ndërsa hyn në gëzimin e Zotit të tij.
Nëse të gjitha këto gjëra mund të merren thjesht duke trokitur tek dera e mëshirës, o shpirti im, trokit fort këtë mëngjes dhe kërko gjëra të mëdha prej Zotit tënd zemërgjerë. Mos e lër fronin e hirit pa vendosur të gjitha nevojat e tua përpara Zotit dhe derisa me anë të besimit të kesh një shpresë të mirë se ato do të plotësohen. Asnjë ndrojtje nuk duhet të të vonojë ndërsa Jezusi të fton. Asnjë mosbesim nuk duhet të të pengojë ndërsa Jezusi premton. Asnjë zemërftohtësi nuk duhet të të pengojë kur të tilla bekime janë për t’u fituar.
5 dhjetor-mbrëmje
“Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.”
{Zakaria 1 :20}
Në vizionin e përshkruar në këtë kapitull, profeti pa katër brinjë të tmerrshëm. Ato po shtynin andej dhe këndej, duke sulmuar më të fortin dhe më të fuqishmin; dhe profeti pyeti, “Pse kanë ardhur këta?” Përgjigja ishte, “Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën.” Ai pa përpara tij një simbol të atyre fuqive që patën shtypur kishën e Perëndisë. Kishte katër brirë, sepse kisha është e sulmuar prej të katër anëve. Nuk është për t’u habitur nëse profeti do të ndjehej i frikësuar, por papritur ja ku u shfaqën përpara atij katër kovaçë. Ai pyeti “çfarë do të bëjnë?” Këta janë burrat që Perëndia ka gjetur për të thyer copa copa ata brirë. Perëndia do të gjejë përherë njerëz për veprën e Tij dhe Ai do t’i gjejë në kohën e duhur. Në fillim, ndërkohë që nuk kishte asgjë për të bërë profeti nuk i pa kovaçët, por së pari pa “brirët” dhe më pas “kovaçët.” Për më tepër, Zoti gjen njerëz mjaftueshëm. Ai nuk gjeti tre kovaçë, por katër; ishin katër brirë dhe duhet të ishin katër punëtorë.
Perëndia gjen njeriun e duhur; jo katër njerëz me pena për të shkruar, jo katër arkitektë për të hartuar skica, por katër kovaçë për të bërë punë të rëndë. Jini të qetë ju që dridheni për arkën e Perëndisë, se atëherë kur “brirët” do të shtojnë vështirësitë, “kovaçët” do të gjenden. Nuk duhet të shqetësoheni në lidhje me dobësinë e kishës së Perëndisë në çfarëdo kohe; një reformues trim i panjohur që do të shkundë kombet mund të dalë në dritë; Krisostomë mund të dalin prej shkollave tona të rrënuara dhe Augustinë prej errësirës më të dendur të varfërisë së Londrës. Zoti e di ku të gjejë shërbëtorët e Tij. Ai ka fshehur një mori njerëzish të fuqishëm dhe me urdhrin e Tij ata do të nisin betejën; “sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti,” dhe Ai do të arrijë fitoren. Le t’i qëndrojmë besnikë Krishtit dhe Ai, në kohën e duhur, do të ngrihet për të na mbrojtur, qoftë kjo në ditën e nevojës sonë, ose në periudhën e rrezikut për kishën e Tij.
6 dhjetor-mëngjes
“Siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.”
{1 Korintasve 15 :48}
Koka dhe gjymtyrët janë të një natyre dhe jo si ai imazh i tmerrshëm që Nebukadnetsari pa në ëndërr. Koka ishte prej ari, por barku dhe kofshët ishin prej bronzi, këmbët prej hekuri dhe shputat prej hekuri dhe argjile. Trupi mistik i Krishtit nuk është përzierje e pakuptimtë gjërash të kundërta; gjymtyrët ishin të vdekshëm dhe prandaj Jezusi vdiq; koka e lavdëruar është e pavdekshme dhe prandaj trupi është gjithashtu i pavdekshëm, sepse kështu thotë Shkrimi, “sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni.” Ashtu siç është Koka jonë e shumëdashur, po ashtu është edhe trupi dhe çdo gjymtyrë e tij në veçanti.
Një Kokë e përzgjedhur dhe gjymtyrë të përzgjedhur; një Kokë e pranuar dhe gjymtyrë të pranuar; një Kokë e gjallë dhe gjymtyrë të gjallë. Nëse koka do të ishte prej ari, të gjithë pjesët e trupit do të ishin prej ari gjithashtu. Kështu pra, bëhet fjalë për një bashkim të dyfishtë natyre si themeli për një shoqërim më të ngushtë. Ndalu pak këtu, lexues i përkushtuar dhe shiko nëse mund të soditësh pa u mahnitur begenisjen e pafundme të Birit të Perëndisë duke lartësuar mjerimin tënd në bashkim të bekuar me lavdinë e Tij. Ti je kaq i vockël sa duke sjellë ndërmend vdekshmërinë tënde, mund t’i thuash korruptimit, “Ti je ati im,” dhe krimbit, “Ti je i afërmi im;” dhe prapëseprapë në Krishtin, ti je kaq i nderuar sa mund t’i thuash të Plotfuqishmit, “Aba, At,” dhe Perëndisë të Mishëruar, “Ti je vëllai im dhe dhëndri im.” Me siguri që nëse prejardhja prej familjeve fisnike dhe të vjetra i bën njerëzit të lartësojnë veten, ne kemi më shumë për t’u lavdëruar mbi gjithë këto. Besimtari më i përçmuar dhe më i varfër le ta mbërthejë këtë privilegj; as dhe një plogështi nuk duhet që ta bëjë të lërë pas dore gjurmimin e prejardhjes së tij fisnike dhe nuk duhet t’i lejojë vetes asnjë dëshirë të çmendur për kotësi të tanishme me të cilat të zërë mendimet e tij me përjashtim të këtij nderi qiellor dhe të lavdishëm të bashkimit me Krishtin.
6 dhjetor-mbrëmje
“Ngjeshur me një brez ari në gjoks.”
{Zbulesa 1 :13}
“Një i ngjashëm me një Bir njeriu” iu shfaq Gjonit në Patmos dhe dishepulli i dashur vuri re se Ai mbante veshur një brez të artë. Një brez, sepse Jezusi kurrë nuk ishte i pangjeshur ndërsa ishte këtu poshtë në tokë, por qëndroi gjithmonë gati për shërbim; dhe tani përpara fronit të përjetshëm Ai nuk pushon shërbimin e Tij të shenjtë, por si një prift është i ngjeshur me “brezin e efodit i punuar artistikisht.” Është mirë për ne që Ai nuk ka pushuar të përmbushë detyrat e tij të dashurisë për ne, përderisa kjo është një prej garancive tona më të përzgjedhura se Ai jeton përherë për të bërë ndërhyrje për ne. Jezusi nuk është kurrë i plogësht; Ai nuk është kurrë shkujdesur sikur detyrat e Tij të kishin mbaruar; Ai me zell mban kauzën e popullit të Tij. Një brez i artë, për të shfaqur epërsinë e shërbimit të Tij, fisnikërinë e personit të Tij, dinjitetin e gjendjes së Tij, lavdinë e shpërblimit të Tij. Ai nuk thërret më prej pluhurit, por ndërhyn me autoritet, si Mbret po ashtu si dhe Prift. Kauza jonë është mjaft e sigurtë në duart e Melkisedekut tonë të fronëzuar.
Zoti ynë i jep të gjithë njerëzve të tij një shembull. Ne nuk duhet kurrë të lirojmë brezat tanë. Kjo nuk është koha për t’u shtrirë në rehati, është periudha e shërbimit dhe luftës. Ne kemi nevojë për të shtrënguar brezin e së vërtetës akoma më fort rreth ijëve tona. Është një brez i artë, prandaj dhe do të jetë zbukurimi ynë më i pasur; ne kemi shumë nevojë për të, sepse një zemër që nuk është e përforcuar mirë me të vërtetën ashtu siç është në Jezusin dhe me besnikërinë e jetësuar prej Frymës, do të zihet lehtë në kurth me gjërat e kësaj jete dhe do të mbërthehet prej kurtheve të tundimit. Është më kot që ne kemi në zotërim Shkrimet nëse nuk i lidhim përreth nesh si një brez, duke rrethuar gjithë natyrën tonë, duke mbajtur çdo pjesë të karakterit tonë në rregull dhe duke ngjeshur gjithë qenien tonë. Nëse në qiell Jezusi nuk e liron brezin, aq më shumë ne mbi tokë. Qëndroni pra duke pasur ijët tuaja të ngjeshura me të vërtetën.
7 dhjetor-mëngjes
“Perëndia ka zgjedhur gjërat e përçmuara të botës.”
{1 Korintasve 1 :28}
Ec përgjatë rrugëve natën nëse guxon dhe atëherë do të shikosh mëkatarë. Vëre kur nata është e errët dhe era ulërin, hajduti po cakëllon bravën e derës dhe atëherë do të shikosh mëkatarë. Shko në atë burg dhe ec përmes ndarjeve të burgut dhe vëre njerëzit me sy të vrenjtur, njerëz që nuk do të pëlqeje të takoje natën dhe atëherë ka mëkatarë atje. Shko tek qendrat e riedukimit dhe vëre ato që kanë jetuar në një shthurje rinore të papërmbajtur dhe atëherë do të shikosh mëkatarë. Shko përtej oqeanit në vendin ku njeriu bren një kockë që bie erë mish njeriu dhe atëherë ka një mëkatar atje. Shko ku të duash, nuk ke nevojë për të rrëmuar tokën për të gjetur mëkatarë, sepse ata janë mjaft të zakonshëm; mund t’i gjesh në çdo rrugicë dhe rrugë të çdo qyteti dhe fshati.
Është për njerëz të tillë që Jezusi vdiq. Nëse do të më zgjidhnit sojin më të trashë të njerëzimit, nëse është i lindur prej gruas, do të kem akoma një shpresë për të, sepse Jezu Krishti ka ardhur për të kërkuar dhe për të shpëtuar mëkatarët. Dashuria përzgjedhëse ka përzgjedhur disa prej më të këqijve për t’u bërë më të mirët. Gurët e përroit, hiri i kthen në gurë të çmuar për kurorën mbretërore. Ndryshkun e pavlerë Ai e transformon në ar të pastër. Dashuria shpenguese ka vënë mënjanë shumë prej më të këqijve të njerëzimit për të qenë shpërblimi i pasionit të Shpëtimtarit. Hiri i efektshëm thërret shumë prej më të këqijve të të këqijve për t’u ulur në tryezën e mëshirës dhe kështu pra asnjë të mos dëshpërohet. Lexues, me anë të asaj dashurie që Jezusi na shikon prej syve të Tij të përlotur, me anë të asaj dashurie që rrjedh prej atyre plagëve të gjakosura, me anë të asaj dashurie besnike, asaj dashurie të fortë, atë dashuri të pastër, painteres dhe të qëndrueshme; me anë të zemrës dhe me anë të dashurisë së mëshirës së Shpëtimtarit, ne të përgjërohemi të mos largohesh sikur të mos ishte asgjë për ty, por beso në Të dhe do të shpëtohesh. Besoja shpirtin tënd Atij dhe Ai do të të sjellë në krahun e djathtë të Atit të Tij në lavdi të përjetshme.
7 dhjetor-mbrëmje
“E kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.”
{1 Korintasve 9 :22}
Synimi i madh i Palit nuk ishte thjesht të mësonte dhe të përmirësonte, por të shpëtonte. Nëse nuk do të ishte kështu atëherë ai do të kishte qenë shumë i zhgënjyer; ai donte të kishte njerëz të ripërtëritur në zemër, të falur, të shenjtëruar, në fakt, të shpëtuar. A kanë synuar punët tona të krishtera në ndonjë gjë poshtë këtij synimi të madh? Atëherë le të korrigjojmë shtigjet tona, sepse çfarë vlere do të kishte vallë të kesh mësuar dhe të kesh moralizuar njerëzit nëse ato shfaqen përpara Perëndisë të pashpëtuar? Rrobat tona do të jenë me gjak flakë të kuq nëse gjatë jetës ne kemi kërkuar më pak se kaq dhe kemi harruar se njerëzit kishin nevojë për t’u shpëtuar. Pali e njihte rrënimin e gjendjes natyrore të njeriut natyror dhe nuk u përpoq ta edukonte, por ta shpëtonte; ai pa njerëz duke u zhytur në ferr dhe nuk foli për t’i rafinuar, por për t’i shpëtuar prej zemërimit të ardhshëm.
Për të arritur shpëtimin e tyre, ai e dha tërë veten e tij me zell të palodhur për të shpallur ungjillin, për të paralajmëruar dhe përgjëruar njerëzit të jenë të pajtuar me Perëndinë. Lutjet e tij ishin pavend e pakohë dhe punët e tij nuk reshtnin asnjëherë. Të shpëtonte shpirtra ishte pasioni i tij konsumues, ambicia e tij, thirrja e tij. Ai u bë një shërbëtor për të gjithë njerëzit, duke punuar rëndë për racën e tij, duke ndjerë një brengë të madhe brenda tij nëse nuk predikonte ungjillin. Ai la mënjanë preferencat e tij për të parandaluar dëmin; ai ia nënshtroi veten gjërave më të ndryshme; dhe nëse njerëzit do të pranonin ungjillin, ai nuk ngriti pyetje në lidhje me format dhe ceremonitë; ungjilli ishte gjëja më e rëndësishme për të. Nëse do të mund të shpëtonte disa, ai do të ishte i kënaqur. Kjo ishte kurora për të cilën ai u përpoq, shpërblimi i mjaftueshëm dhe i vetëm i gjithë punëve dhe vetëmohimeve të tij. Lexues i dashur, ju dhe unë, a kemi jetuar për të fituar shpirtra me këtë ecuri fisnike? A jemi të zotëruar me të njëjtën dëshirë rrëmbyese? Nëse jo, pse jo? Jezusi vdiq për mëkatarët, a nuk mund vallë që ne të jetojmë për ta? Ku është butësia jonë? Ku është vallë dashuria jonë për Krishtin, nëse nuk kërkojmë nderin e Tij në shpëtimin e njerëzve? Oh Zoti na mbushtë plot e përplot me një zell të pavdekshëm për shpirtrat e njerëzve.
8 dhjetor-mëngjes
“Por ke disa veta në Sardë, që nuk i ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë”
{Zbulesa 3 :4}
Ne mund ta kuptojmë këtë se i referohet drejtësimit. “Ata do të ecin me mua të veshur në të bardha;” domethënë, ata do të gëzojnë një ndijim të vazhdueshëm të drejtësimit të tyre me anë të besimit; ata do të kuptojnë se drejtësia e Krishtit i është llogaritur atyre, se ata janë të gjithë të larë dhe të bërë më të bardhë se sa bora më e freskët. Po ashtu, i referohet gëzimit dhe haresë, sepse rrobat e bardha ishin rroba ditësh pushimi midis hebrenjve. Ata që nuk i kanë ndotur rrobat e tyre do të kenë fytyrat e tyre përherë të shndritshme; ata do të kuptojnë atë që Solomoni donte të thoshte kur tha “Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua.” Ai që është i pranuar prej Perëndisë do të veshë rroba të bardha gëzimi dhe hareje, ndërsa ecën në shoqërim të ëmbël me Zotin Jezus.
Nga vijnë vallë kaq shumë dyshime, kaq shumë mjerim dhe zi? Është sepse shumë besimtarë ndotin rrobat e tyre me mëkat dhe gabim dhe si rrjedhim ata humbin gëzimin e shpëtimit të tyre dhe shoqërimin e mirë të Zotit Jezus; ata nuk ecin këtu poshtë me rroba të bardha. Premtimi gjithashtu i referohet ecjes veshur në të bardha përpara fronit të Perëndisë. Ata që nuk i kanë ndotur rrobat e tyre këtu poshtë do të ecin me siguri veshur në të bardha atje lart, ku ushtritë veshur në të bardhë i këndojnë Alelujah të përhershme Shumëtëlartit. Ata do të zotërojnë gëzime të papërfytyrueshme, lumturi që ia kalon ëndrrës, lumni që përfytyrimi nuk e njeh, bekim që edhe shtrirja e dëshirës nuk e ka arritur dot. Ata që “kanë një rrugë pa njollë” do t’i zotërojnë të gjitha këto—jo prej meritës ose veprave, por prej hirit. Ata do të ecin me Krishtin në të bardha, sepse Ai i ka bërë të denjë për këtë. Në shoqërimin e Tij të ëmbël ata do të pinë prej burime ujërash të gjalla.
8 dhjetor-mbrëmje
“Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.”
{Psalmi 68 :10}
Të gjitha dhuratat e Perëndisë janë dhurata të përgatitura dhe të grumbulluara në depo për nevoja të parashikuara. Ai paraprin nevojat tona dhe prej plotësisë që ka mbledhur si thesar në Krishtin Jezus, Ai i jep të varfërit prej mirësisë së Tij. Mund t’i besoni Atij për të gjitha nevojat që mund të hasim, sepse Ai ka paranjohur në mënyrë të pagabueshme çdonjërën prej tyre. Ai mund të thotë për ne në çdo rrethanë, “E dija se për çfarë kishe nevojë.” Një njeri niset për udhëtim përmes shkretëtirës dhe ndërsa ka përparuar një ditë, ka ngritur tendën, zbulon se ka nevojë për shumë lehtësira dhe gjëra të nevojshme që nuk i ka marrë me vete në bagazhe. “Ah!” thotë ai, “nuk e parashikova këtë; nëse do ta bëja përsëri këtë udhëtim, do të sillja me vete këto gjëra, kaq të nevojshme për nevojat e mia.” Mirëpo Perëndia ka shënuar me syrin e paranjohjes të gjitha kërkesat e fëmijëve të Tij të varfër e të hallakatur dhe kur këto nevoja vijnë, furnizimet janë gati. Është mirësi që Ai ka përgatitur për të varfërit në zemër, mirësi dhe vetëm mirësi. “Hiri im të mjafton.” “Forca jote do të vazhdojë sa janë ditët e tua.”
Lexues, a është zemra jotë e rënduar këtë mëngjes? Perëndia e dinte se do të ndodhte kështu; lehtësimi për të cilin zemra jote ka nevojë është i ruajtur si thesar në sigurinë e ëmbël të tekstit. Ti je i varfër dhe në nevojë, por Ai ka menduar për ty dhe ka ruajtur për ty pikërisht atë bekim që kërkon. Kërko premtimin, besoje dhe fito përmbushjen e tij. A e ndjen se nuk ishe kurrë në vetëdijen tënde kaq i ulët sa je tani? Shiko, burimi i purpurt është i hapur akoma, me gjithë efikasitetin e tij të kaluar, për të larë mëkatet e tua. Kurrë nuk do të biesh në një situatë të tillë në të cilën Krishti nuk mund të të ndihmojë. Jezus Krishti është në lartësinë e duhur për çdo nevojë tënden në çështjet e tua shpirtërore sepse situata jote ka qenë e gjitha e paranjohur dhe Perëndia ka siguruar në Jezusin.
9 dhjetor-mëngjes
“Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir”
{Isaia 30:18}
Perëndia shpesh vonon në përgjigjen e lutjes. Ne kemi raste të ndryshme në Shkrimin e shenjtë. Jakobi nuk e mori bekimin prej engjëllit deri afër agimit—atij iu desh të përleshej gjithë natën për të. Gruas së gjorë nga Sirofenikia as që nuk iu tha edhe një fjalë për një kohë të gjatë. Pali i kërkoi tri herë Zotit që “gjembi në mish” të mund të hiqej prej tij dhe nuk mori siguri se do t’i hiqej, por në vend të kësaj një premtim se hiri i Perëndisë i mjaftonte. Nëse ke trokitur vazhdimisht në portën e mëshirës dhe nuk ke marrë përgjigje, a do që të të them pse Krijuesi i fuqishëm nuk ka hapur derën dhe nuk të ka lejuar të hysh brenda? Ati ynë ka arsye të veçanta për të na mbajtur kështu duke pritur. Ndonjëherë është për të treguar fuqinë e Tij dhe sovranitetin e Tij, që njerëzit të mund të njohin se Jehovai ka një të drejtë për të dhënë ose për të mbajtur. Në rastet më të shpeshta vonesa është për dobinë tonë. Ti ndoshta po mbahesh duke pritur me qëllim që dëshirat e tua të jenë më të zjarrta.
Perëndia e di se vonesa do të gjallërojë dhe do të rrisë dëshirën dhe se nëse të mban duke pritur ti do të shikosh nevojshmërinë tënde me qartë dhe do të kërkosh më me ngulm akoma; dhe që të çmosh mëshirën edhe më shumë ndërsa ajo vonon. Mund të ketë gjithashtu diçka që nuk shkon në ty që ka nevojë për t’u hequr, përpara se gëzimi i Zotit të jepet. Ndoshta pikëpamjet e tua të planit të Ungjillit janë të paqarta, ose ndoshta vendos pak besim te vetja jote, në vend që të besosh thjesht dhe tërësisht te Zoti Jezus. Ose, Perëndia të bën ty të presësh akoma që të mund të shfaqë në fund fare më plotësisht pasuritë e hirit të Tij. Lutjet e tua janë të gjitha të regjistruara në qiell dhe nëse nuk marrin përgjigje menjëherë me siguri që nuk janë harruar, por edhe pak dhe do të përmbushen dhe do të kesh gëzim dhe ëndje. Dëshpërimi mos të të bëftë të heshtur, por vazhdo me ngut në përgjërime të zellshme.
9 dhjetor-mbrëmje
“Populli im do të banojë në një vend paqeje.”
{Isaia 32 :18}
Paqja dhe prehja nuk i përkasin të paripërtëriturit, ato janë zotërimet e veçanta të popullit të Zotit dhe të atyre vetëm. Perëndia i paqes i jep paqe të përkryer atyre me zemrat që mbështeten te Ai. Kur njeriu nuk kishte rënë akoma, Perëndia i tij i dha vendin e lulëzuar të Edenit si vendin e tij të prehjes, por sa keq! sa shpejt mëkati prishi vendbanimin e hijshëm të pafajësisë. Në ditën e zemërimit universal kur ujërat fshinë një racë të fajshme, familja e zgjedhur ishte e siguruar në paqe në vendin prehës të arkës, që i shpuri prej botës së vjetër të dënuar në tokën e re të ylberit dhe besëlidhjes, që simbolizon Jezusin, arkën e shpëtimit tonë. Izraeli qëndroi i sigurtë në vendbanimet e spërkatura me gjak të Egjiptit kur engjëlli shkatërrimtar goditi të parëlindurit; dhe në shkretëtirë hija e shtyllës së resë dhe shkëmbi me ujë, i dha shtegtarëve të lodhur një pushim të ëmbël.
Në këtë çast ne prehemi në premtimet e Perëndisë tonë besnik, duke ditur se fjalët e Tij janë plot me vërtetësi dhe fuqi; ne prehemi në doktrinat e fjalës së Tij, që janë ngushëllimi vetë; ne prehemi në besëlidhjen e hirit të Tij, që është një liman kënaqësie. Me tepër të favorizuar jemi ne se sa Davidi në Adullam ose Jona poshtë bimës, sepse askush nuk mund ta pushtojë ose ta shkatërrojë strehën tonë. Personi i Jezusit është vendi i prehjes i popullit të Tij dhe kur ne afrohemi afër Tij në thyerjen e bukës, në dëgjimin e fjalës, në kërkimin e Shkrimeve, në lutje ose lavdi, ne zbulojmë se çdo formë afrimi me Të është një rikthim paqe në frymët tona.
Dëgjoj fjalët e dashurisë, mbi gjakun vështroj,
Kam paqe me Perëndinë dhe flijimin e fuqishëm shikoj.
Është paqe e përjetshme, e sigurtë si emri i Jehovait,
E qëndrueshme si froni i Tij i palëkundur, përherë e njëjtë:
Retë mund të shkojnë dhe vijnë, dhe stuhia qiellin tim mund të përshkojë,
Kryqi është përherë pranë, kjo miqësi gjakvulosur nuk do ndryshojë.
10 dhjetor-mëngjes
“Dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin”.
{1 Thesalonikasve 4:17}
Edhe vizitat më të ëmbla të Krishtit, sa të shkurtra që janë—dhe sa kalimtare! Mjafton një çast që sytë tanë ta shikojnë dhe ne gëzohemi me gëzim të pashprehshëm dhe plot me lavdi, por përsëri për pak kohë ne nuk e shikojmë Atë, sepse i Shumëdashuri ynë tërhiqet prej nesh; ashtu si një kaproll ose një dre i ri ai kërcen mbi malet e ndarjes; Ai ka shkuar në tokën e aromave dhe nuk ushqehet më mes zambakëve.
Nëse sot Ai begenis të na bekojë
Me një ndijim mëkati të falur,
Nesër mund të na trishtojë
Të na bëjë të ndjejmë plagën përbrenda.
Oh, sa e ëmbël perspektiva e asaj kohe kur nuk do ta shikojmë në largësi, por do ta shikojmë ballë për ballë; kur Ai nuk do të jetë si një udhëtar që qëndron vetëm për një natë, por do të na mbështjellë përjetësisht në kraharorin e lavdisë së Tij. Ne nuk do ta shikojmë Atë për një periudhë të shkurtër, por
Me miliona vite sytë tanë të habitur,
Do të sodisin bukuritë e Shpëtimtarit tonë
Dhe për miriada kohërash do të adhurojmë
Mrekullitë e dashurisë së Tij.
Në qiell nuk do të ketë ndërprerje prej shqetësimit ose mëkatit; asnjë e qarë nuk do të mekë sytë tanë; asgjë tokësore nuk do të hutojë mendimet tona të lumtura; nuk do të kemi asgjë që do të na pengojë të shikojmë përherë Diellin e Drejtësisë me sy të palodhur. Oh, nëse është kaq e ëmbël ta shikojmë Atë tani, sa e ëmbël do të jetë vallë të vështrosh përherë atë fytyrë të bekuar dhe kurrë të mos kesh një re në mes dhe kurrë të mos kesh nevojë të kthesh sytë mënjanë për të parë mbi një botë lodhëse dhe të mjerë! Ditë e bekuar, kur do të agosh vallë? Ngrihu, o diell që nuk perëndon kurrë! Gëzimet e shqisave mund të na lënë kur të duan, por ajo ditë do të na sjellë në lavdi. Nëse të vdesësh nuk është gjë tjetër veçse të hysh në shoqërim të pandërprerë me Jezusin, atëherë vdekja është me të vërtetë fitim dhe njolla e zezë është e gllabëruar në një det fitore.
10 dhjetor-mbrëmje
“Zoti ia hapi zemrën.”
{Veprat 16 :14}
Në kthimin në besim të Lidias ka shumë pika me interes. Kthimi në besim i saj erdhi prej rrethanave të providencës. Ajo ishte një tregtare të purpurtash, prej qytetit të Tiatirës, por pikërisht në kohën e duhur për të dëgjuar Palin ne e gjejmë atë në Filipi; providenca, e cila është motra e hirit, e çoi në vendin e duhur. Po ashtu, hiri po përgatiste shpirtin e saj për bekimin—hiri duke përgatitur për hir. Ajo nuk e njihte Shpëtimtarin, por duke qenë izraelite, ajo njihte shumë të vërteta që ishin pikënisje të shkëlqyeshme për njohjen e Jezusit. Kthimi në besim i saj erdhi me përdorimin e mjeteve. Ajo shkoi në ditën e Shabatit, atëherë kur lutja duhej të bëhej dhe atje iu dëgjua lutja. Mos lër kurrë pas dore mjetet e hirit; Perëndia mund të na bekojë kur nuk jemi në shtëpinë e Tij, por ne kemi arsyen më të madhe për të shpresuar se Ai do të na bekojë kur jemi në shoqërim me shenjtorët e Tij. Vëre fjalët, “Zoti ia hapi zemrën.” Ajo nuk e hapi vetë zemrën. Lutjet e saj nuk e bënë një gjë të tillë; Pali nuk e bëri një gjë të tillë.
Vetë Zoti duhet të hapë zemrën, në mënyrë që ne të pranojmë gjërat që na japin paqen. Ai vetëm mund të vendosë çelësin në kyçin e derës, ta hapë atë dhe të gjejë pranim. Ai është i zoti i zemrës ashtu siç dhe është krijuesi i zemrës. Treguesi i parë i zemrës së saj të hapur ishte bindja. Sapo Lidia pati besuar në Jezus, ajo u pagëzua. Është një shenjë e ëmbël e një zemre të thyer dhe të përulur, kur fëmija i Perëndisë ka vullnetin t’i bindet urdhëresës që nuk është thelbësore për shpëtimin e tij, pa u shtrënguar prej një frikë egoiste dënimi, por është një akt i thjeshtë bindjeje dhe shoqërimi me Mjeshtrin e tij. Treguesi tjetër ishte dashuria, duke shfaqur veten në vepra mirësie mirënjohëse kundrejt apostujve. Dashuria për shenjtorët ka qenë për herë një shenjë e një kthimi në besim të vërtetë. Ata që nuk bëjnë asgjë për Krishtin ose për kishën e Tij, nuk japin veçse një dëshmi të dobët të një zemre “të hapur”. Zot, më jep më shumë një zemër të hapur.
11 dhjetor-mëngjes
“Besnik është Ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.”
{1 Thesalonikasve 5:24}
Qielli është një vend ku ne nuk do të mëkatojmë kurrë; ku vëmendja jonë e vazhdueshme do të gjej pushim ndaj një armiku të palodhshëm, sepse atje nuk do të ketë më tundues për të zënë në lak këmbët tona. Atje të këqijtë pushojnë së trazuari dhe të lodhurit janë në prehje. Qielli është “trashëgimia e pandotur;” është toka e shenjtërisë së përkryer dhe si rrjedhojë e një sigurie të plotë. Mirëpo, shenjtorët në tokë a nuk vallë shijojnë ndonjëherë gëzimet e sigurisë të bekuar? Doktrina e fjalës së Perëndisë është, se të gjithë ata që janë bashkuar me Qengjin janë të sigurtë; se të gjithë të drejtët do të qëndrojnë në këmbë përgjatë rrugës së tyre; se ata që ia kanë dorëzuar shpirtrat ruajtjes së Krishtit do të zbulojnë se Ai është një ruajtës i pandryshueshëm dhe besnik. Të mbështetur nga një doktrinë e tillë, ne mund të gëzojmë siguri edhe mbi tokë; jo atë siguri të lartë dhe të lavdishme që na bën të lirë prej çdo rrëshqitje, por atë siguri të shenjtë që ngrihet prej premtimit të sigurtë të Jezusit se askush që beson në Të nuk do të vdesë kurrë, por do të jetë me Të atje ku Ai është. Besimtar, le të mendojmë shpesh me gëzim mbi doktrinën e këmbënguljes së shenjtorëve dhe të nderojmë besnikërinë e Perëndisë tonë me një mirëbesim të shenjtë në Të.
Perëndia ynë ju dhëntë një ndijim sigurie në Krishtin Jezus! Ju siguroftë se emri juaj është i gdhendur në dorën e Tij; dhe dëgjofshi pëshpërimën e Tij tek premton, “Mos ki frikë, jam me ty.” Shiko Atë, Kapari i madh i besëlidhjes, aq besnik sa i vërtetë, prandaj dhe i zotuar të të paraqesë ty, më të dobëtin e familjes, me të gjithë racën e zgjedhur, përpara fronit të Perëndisë; dhe me një soditje të tillë të ëmbël do të pish verën hyjnore të Zotit dhe do të shijosh frytet e zgjedhura të Parajsës. Do të kesh një parashije të gëzimeve që rrëmbejnë shpirtrat e shenjtorëve të përkryer atje lart, nëse mund të besosh me një besim të palëkundshëm se “besnik është Ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.”
11 dhjetor-mbrëmje
“Ju i shërbeni Krishtit, Zotit.”
{Kolosianëve 3:24}
Kujt rangu të zgjedhur zyrtarësh iu drejtua kjo fjalë? Mbretërve që krekosen me mburrje prej të drejtës hyjnore? Ah, jo! shumë shpesh ata i shërbejnë vetes ose satanit dhe harrojnë Perëndinë durimi i të cilit i lejon ata të veshin madhërinë e tyre të rreme për një kohë të shkurtër. A i flet atëherë apostulli atyre të ashtuquajtur “shkëlqesia e tyre,” peshkopëve apo “të nderuarve” priftërinj? Jo, në të vërtetë, Pali nuk njihte asgjë prej këtyre shpikjeve të njerëzve. Madje kjo fjalë nuk iu drejtua as pastorëve dhe mësuesve, ose të pasurve dhe të vlerësuarve midis besimtarëve, por shërbëtorëve, po, dhe skllevërve. Midis turmave punëtore, mëditësve, punëtorëve të ditës, shërbëtoreve shtëpiake, të palodhurve në punë kuzhine, apostulli gjeti, ashtu si i gjejmë akoma, disa prej të zgjedhurve të Zotit dhe atyre ai i thotë, “Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.”
Kjo thënie fisnikëron rutinën e lodhshme të punëzënieve tokësore dhe përhap një aurorë midis punëve më të përulura. T’i lash këmbët tjetrit mund të jetë një punë fukarai, por të lash këmbët e Tij është punë mbretërore. Të zgjidhësh lidhësen e këpucës është punë për bukën e gojës, por të zgjidhësh atë të Mjeshtrit të madh është privilegj princëror. Dyqani, hambari, punët shtëpiake, kovaçhana bëhen tempuj kur burra dhe gra bëjnë gjithçka për lavdinë e Perëndisë! Atëherë “shërbimi hyjnor” nuk është diçka e disa orëve dhe e disa vendeve, por gjithë jeta bëhet shenjtëri në Zotin dhe çdo vend e objekt si të përkushtuar ashtu si tabernakulli dhe shandani i tij i artë.
Më mëso, Perëndia dhe Mbreti im, në gjithçka të shoh Ty;
Dhe gjithçka që bëj, ta bëj si për Ty
Asgjë nuk mund të jetë aq e vogël për Ty
Për hirin tënd, çdo gjë kthehet e shkëlqyeshme dhe e pastër.
Shërbëtorit me këtë klauzolë, çdo gjë i duket hyjnore
Dhe çdo gjë kryhet nuk ka se si më mirë.
12 dhjetor-mëngjes
“Rrugët e Tij janë të përjetshme.”
{Habakuku 3 :6}
Çfarë Ai ka bërë një herë, do ta bëjë përsëri. Rrugët e njeriut janë të ndryshueshme, por rrugët e Perëndisë janë të përjetshme. Ka shumë arsye për këtë të vërtetë tepër ngushëlluese; më poshtë do të gjeni disa nga këto arsye—rrugët e Zotit janë rezultati i një përsiatje të urtë; Ai vë në rregull të gjitha gjërat sipas këshillës së vullnetit të Tij. Veprimi njerëzor është shpesh rezultati i shpejtë i pasionit, ose frikës dhe udhëhiqet prej keqardhjes dhe ndryshimit, por asgjë nuk mund ta zërë në befasi të Plotfuqishmin, ose të ndodhë ndryshe nga ç’ka Ai ka parashikuar. Rrugët e Tij janë rezultati i një karakteri të pandryshueshëm; në to duhen parë qartë atributet e paluhatshme dhe të patjetërsueshme të Perëndisë. Nëse vetë i Përjetshmi nuk ndërmerr një ndryshim, rrugët e Tij, që janë gjithmonë vepruese, duhet të qëndrojnë përherë të njëjta. A është Ai përjetësisht i drejtë, i hirshëm, besnik, i urtë, i butë?—atëherë rrugët e Tij duhet të dallohen përherë prej po të njëjtave shkëlqesi. Duke qenë se veprimet ndjekin natyrën e tyre, kur kjo natyrë ndryshon, po ashtu drejtimi i tyre ndryshon gjithashtu, por përderisa Perëndia nuk mund të njohë as dhe një hije ndryshimi, rrugët e Tij do të qëndrojnë përherë të njëjta.
Për më tepër nuk ka asnjë arsye nga jashtë e cila mund të përmbysë rrugët hyjnore, përderisa ato janë personifikimi i një fuqie të parezistueshme. Nga profeti thuhet se toka çahet prej lumenjsh, malet tunden, thellësia zhduket dhe dielli dhe hëna qëndrojnë palëvizur, kur Jehovai marshon përpara për shpëtimin e popullit të Tij. Kush vallë mund ta mbajë dorën e Tij dhe t’i thotë, çfarë po bën? Mirëpo nuk është veçse fuqia që siguron qëndrueshmërinë; rrugët e Perëndisë janë shfaqja e parimeve të përjetshme të drejtësisë dhe prandaj nuk mund të kalojnë kurrë. Farat e këqija kalben dhe rrënohen, por fara e vërtetë dhe e mirë përmban një gjallëri që kohërat nuk mund ta mpakin. Këtë mëngjes le të shkojmë te Ati ynë qiellor me mirëbesim, duke kujtuar se Jezu Krishti është i njëjti dje, sot dhe përherë dhe në Të Zoti është përherë i hirshëm kundrejt popullit të Tij.
12 dhjetor-mbrëmje
“Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit.”
{Osea 5 :7}
Besimtar, këtu ka një të vërtetë të trishtueshme! Ti je i shumëdashuri i Zotit, i shpenguar prej gjakut, i thirrur prej hirit, i ruajtur në Krishtin Jezus, i pranuar në të Shumëdashurin, duke rrugëtuar drejt qiellit, dhe prapëseprapë, “ke vepruar me mashtrim” kundër Perëndisë, mikut tënd më të mirë; me mashtrim kundër Jezusit, të Cilit i përket; me mashtrim kundër Frymës së Shenjtë, me anë të Cilit je ngjallur në jetë të përjetshme! Sa mashtrues ke qenë në çështjet e betimeve dhe premtimeve. A e mbani mend dashurinë e fejesës, atë kohë të lumtur—pranverën e jetës suaj shpirtërore? Oh, sa afër që i rrinit Mjeshtrit atëherë! duke thënë, “Ai nuk do të më fajësojë kurrë me mospërfillje; këmba ime nuk do të ngadalësohet kurrë në udhën e shërbimit të Tij; nuk do të lejoj zemrën time të bredhë pas dashurive të tjera; në Të gjendet çdo bollëk ëmbëlsie e pashprehshme. Jap gjithçka për hir të Zotit tim Jezus.”
A ka qenë vallë kështu? Sa keq! nëse ndërgjegjja flet, do të thoshte, “ai që shprehu gjithë këto premtime s’ka bërë asgjë. Lutja shpeshherë është dëgjuar mbyturazi,—ka qenë e shkurtër, por jo e ëmbël, fjalëpakë, por jo e zjarrtë. Shoqërimi me Krishtin është harruar. Në vend të një mendjeje qiellore, ka pasur shqetësime mishore, kotësi të botës dhe mendime të liga. Në vend të shërbimit, ka pasur mosbindje; në vend të zellit, plogështi; në vend të durimit, rrëmbim; në vend të besimit, mirëbesim në një krah mishi; dhe edhe pse një ushtar i kryqit, ka pasur frikë, mosbindje dhe dezertim, në një shkallë të turpshme.” “Ke vepruar me mashtrim.” Mashtrim kundër Jezusit! Çfarë fjalësh duhet të përdoren për ta dëftuar këtë gjë? Fjalët vlejnë pak; mendimet tona të pendesës urrefshin mëkatin që me siguri kemi brenda nesh. Mashtrues kundër plagëve të tua, O Jezus! Na fal dhe mos na lër që të mëkatojmë përsëri! Sa turp të jesh mashtrues kundër Atij që nuk na harron kurrë, por që këtë ditë qëndron me emrat tanë të gdhendur në parzmoren e Tij përpara fronit të përjetshëm.
13 dhjetor-mëngjes
“Kripë në sasi të pakufizuar.”
{Ezra 7 :22}
Kripa ishte e përdorur në çdo flijim që i bëhej Zotit në zjarr dhe për shkak të vetive pastruese dhe ruajtëse ishte emblema mirënjohëse e hirit hyjnor në shpirt. Ia vlen që të shikohet me kujdes se, kur Artasersi i dha kripë Ezdrës priftit, nuk i vuri asnjë kufi dhe mund të jemi më se të sigurtë se kur Mbreti i mbretërve shpërndan hir midis priftërinjve të Tij mbretëror, furnizimi nuk kursehet nga ana e Tij. Shpesh ne jemi të shtrënguar në vetvete, por kurrë në Zotin. Ai që zgjedh të mbledhë shumë mana, do të zbulojë se Ai mund të mbledhë aq shumë sa dëshiron. Nuk ka zi buke të tillë në Jeruzalem sa banorët të hanë bukën e tyre me peshë dhe të pinë ujin e tyre me masë. Disa gjëra në ekonominë e hirit janë me masë, për shembull uthulla dhe vreri na janë dhënë me një saktësi të tillë që nuk kemi kurrë një pikë më tepër sa ç’duhet, por nuk ka kursim me kripën e hirit, “lypni dhe do t`ju jepet.” Prindërve u duhet shpesh të fshehin shportën me fruta dhe kavanozat me reçel, por nuk është e nevojshme të fshehin mbajtësen e kripës, sepse pak fëmijë do të hanin me shumë ëndje prej saj.
Një njeri mund të ketë shumë para, shumë nder, por ai nuk mund të ketë kurrë hir me tepri. Kur Jeshuruni filloi të dhjamosej, ai hodhi vickla kundër Perëndisë, por nuk kemi pse kemi frikë se dikush mund të ketë hir me tepri; teprica e hirit është e pamundur. Më tepër pasuri sjell më tepër shqetësim, por më tepër hir sjell më tepër gëzim. Urtësia në rritje është trishtim në rritje, por bollëku i Frymës është bollëk gëzimi. Besimtar, shko të froni për një furnizim më të madh akoma me kripë qiellore. Kjo kripë qiellore do t’i japë shije pikëllimeve të tua, që përndryshe do të ishin pa shije; do të ruajë zemrën tënde që do të korruptohej nëse do të mungonte dhe do të vrasë mëkatet e tua ashtu si kripa vret agjentët e dëmshëm. Ti ke nevojë për shumë; kërko shumë dhe ki shumë.
13 dhjetor-mbrëmje
“Do t’i bëj bedenat e tua prej rubinësh.”
{Isaia 54:12}
Kisha është e simbolizuar në mënyrë shumë mësimdhënëse prej një ndërtese të ngritur prej fuqisë hyjnore dhe e skicuar prej aftësisë hyjnore. Një shtëpi e tillë hyjnore nuk duhet të jetë e errët, sepse izraelitët patën dritë në banesat e tyre; prandaj duhet që të ketë dritare që drita të depërtojë brenda dhe për të lejuar banorët të vështrojnë jashtë. Këto dritare janë të çmuara si rubinë; mënyrat se si kisha vështron Zotin e saj, qiellin dhe të vërtetën shpirtërore në përgjithësi, duhen vlerësuar shumë. Rubinët nuk janë nga gurët e çmuar më transparentë, më së miri ato janë gjysmë transparentë,
Njohuria jonë e asaj jete është e vogël,
Syri ynë i besimit është i mekët.
Besimi është një prej këtyre dritareve të çmuara prej rubini, por sa keq! bën shpesh kaq mjegull dhe ka kaq re, sa ne shikojmë errët dhe e keqkuptojmë shumë atë që shohim. Prapëseprapë nëse nuk mund të shikojmë përmes dritaresh diamanti dhe të njohim se si jemi njohur, është një gjë e lavdishme të shikosh Atë, edhe pse pasqyra mund të jetë e mjegullt si rubini. Përjetimi është një tjetër prej këtyre dritareve të mjegullta, por të çmueshme, duke lëshuar drejt nesh një dritë besimi të ëmbël, ku ne shohim vuajtjet e Njeriut të Dhembjeve, përmes vetë dhembjeve tona. Sytë tanë të mekët nuk mund të durojnë dritare me xham të tejdukshëm që tejçojnë brenda lavdinë e Mjeshtrit, por kur janë të turbulluar me lot, rrezet e Diellit të Drejtësisë zbuten dhe ndriçojnë përmes dritareve të rubinit me një rrezatim të butë që është pashprehshëm qetësues për shpirtrat e tunduar. Shenjtërimi, përderisa na bën të ngjashëm me Zotin tonë, është një tjetër dritare rubini. Vetëm kur bëhemi qiellor ne mund të kuptojmë gjëra qiellore. I pastri në zemër shikon një Perëndi të pastër. Ata që janë si Jezusi e shikojnë Atë ashtu si Ai është. Për shkak se ne jemi kaq pak si Ai, dritarja është veç prej rubini; për shkak se jemi disi si Ai, dritarja është prej rubini. Ne falënderojmë Perëndinë për atë që kemi dhe dëshirojmë me zjarr për më tepër. Kur do të shikojmë Perëndinë, Jezusin, qiellin dhe të vërtetën, ballë për ballë?
14 dhjetor-mëngjes
“Ata kalojnë nga një forcë te tjetra.”
{Psalmi 84 :7}
Ata kalojnë nga një forcë te tjetra. Këto fjalë kanë kuptime të ndryshme, por secili prej tyre përmban idenë e përparimit. Përkthimi ynë i mirë i versionit të autorizuar na mjafton këtë mëngjes. “Ata kalojnë nga një forcë te tjetra.” Domethënë, ata bëhen akoma më të fortë dhe më të fortë. Zakonisht, nëse jemi duke ecur, kalojmë prej forcës te dobësia; ne fillojmë të freskët dhe mbarë udhëtimin tonë, por pak nga pak rruga bëhet e ashpër, dielli është i nxehtë, ne ulemi buzë rrugës dhe më pas përsëri vazhdojmë udhën tonë të lodhshme. Mirëpo shtegtari i krishterë duke pasur fituar furnizime hiri të freskëta, është po aq i fuqishëm mbas vitesh udhëtimi të vështirë dhe beteje sa edhe kur nisi udhëtimin. Ai mund të jetë jo dhe aq i entuziazmuar dhe gazmor, po ashtu jo dhe aq i zjarrtë dhe i ngutur në zell siç ishte një herë e një kohë, por ai është shumë më i fortë në gjithçka që përbën fuqi të vërtetë dhe udhëton, edhe pse ndoshta me ngadalë, shumë më me siguri.
Disa veteranë me flokë të thinjur kanë qenë po aq të fortë në mbërthimin e së vërtetës dhe po aq të zellshëm në përhapjen e saj, sa ishin në ditët e tyre të rinisë, por, sa keq, është për t’u rrëfyer se shpesh ndodh ndryshe, sepse dashuria e shumë njerëzve ftohet dhe shkelja është me bollëk, por kjo është për shkak të mëkatit të tyre dhe jo prej fajit të premtimit që akoma qëndron në këmbë: “të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.” Frymët e shqetësuara ulen dhe merakosen në lidhje me të ardhmen. “Sa keq!” thonë ata, “ne kalojmë nga pikëllimi te pikëllimi.” Shumë e vërtetë o ti besimpak, por ti kalon nga forca në forcë gjithashtu. Ti kurrë nuk do të gjesh pikëllime që nuk kanë në mesin e tyre hir të mjaftueshëm. Perëndia do të japë forcën e një njeriu të pjekur me barrën e përshtatshme për supe të rritur.
14 dhjetor-mbrëmje
“Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin.”
{Galatët 2:20}
Zoti Jezu Krisht veproi në atë çfarë bëri si një person përfaqësues i shumicës dhe vdekja e tij mbi kryq ishte vdekja e njëmendtë e të gjithë popullit të Tij. Në atë moment të gjithë shenjtorët e Tij bënë atë që ishte e drejtë dhe kryen një shpengim të hakmarrjes hyjnore për të gjithë mëkatet e tyre. Apostulli i johebrenjve kënaqej të mendonte se duke qenë një prej të zgjedhurve të Krishtit, ai vdiq mbi kryqin e Krishtit. Ai bëri më tepër se ta besonte këtë gjë doktrinalisht, ai e pranoi atë me mirëbesim, duke mbështetur shpresën e tij mbi të. Ai besoi se me anë të virtytit të kryqit të Krishtit, ai kënaqi drejtësinë hyjnore dhe gjeti pajtimin me Perëndinë. Të dashur, çfarë bekimi që është kur shpirti mund të shtrihet mbi kryqin e Krishtit dhe të ndjejë, “Jam i vdekur; ligji më ka vrarë dhe prandaj jam i lirë prej pushtetit të tij, sepse në Sigurinë time kam mbajtur mallkimin dhe në personin e Zëvendësuesit tim, gjithçka që ligji mund të bënte me anë të dënimit, është ekzekutuar mbi mua, sepse unë jam i kryqëzuar bashkë me Krishtin.”
Mirëpo Pali donte të thoshte më shumë se kaq. Ai jo vetëm që besoi në vdekjen e Krishtit dhe e mbështeti besimin te Ai, por ai me të vërtetë e ndjeu fuqinë e saj përbrenda duke sjellë kryqëzimin e natyrës së tij të korruptuar. Kur ai pa kënaqësitë e mëkatit, ai tha, “Nuk mund t’i gëzoj këto; jam i vdekur për to.” I tillë është përjetimi i çdo të krishteri të vërtetë. Duke pasur marrë Krishtin, ai është për këtë botë si dikush që është tërësisht i vdekur. Prapëseprapë, ndërsa i ndërgjegjshëm në lidhje me vdekjen kundrejt botës, ai mund, në të njëjtën kohë, të thërrasë me apostullin, “megjithatë jetoj.” Ai është plot i gjallë në Perëndinë. Jeta e krishterë është një enigmë e pashoqe. Asnjë i botës nuk mund ta kuptojë dot; edhe vetë besimtari nuk mund ta kuptojë dot. I vdekur, prapëseprapë i gjallë! i kryqëzuar me Krishtin dhe prapëseprapë në të njëjtën kohë i ngjallur me Krishtin në risi jete! Bashkimi me Shpëtimtarin e gjakosur, të vuajtur dhe vdekja për botën dhe mëkatin, janë gjëra që gëzojnë shpirtin. Oh për më tepër shijim të tyre!
15 dhjetor-mëngjes
“Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj.”
{Ruthi 1:14}
Të dyja kishin dashuri për Naomin dhe prandaj u nisën me të për t’u kthyer në tokën e Judës, por ora e sprovës erdhi; Naomi në mënyrë tepër zemërgjerë u tregoi atyre vështirësitë që i prisnin dhe i urdhëroi nëse kërkonin rehatinë dhe lehtësimin të ktheheshin te të afërmit e tyre moabitë. Së pari të dyja thanë se donin të lidhnin fatin e tyre me popullin e Zotit, por mbas konsideratave të mëvonshme Orpahu me shumë dhembje dhe me një puthje plot respekt la vjerrën e saj, popullin dhe Perëndinë e Naomit dhe u kthye te të afërmit e saj idhujtarë, ndërsa Ruthi me gjithë zemrën e saj ia dorëzoi veten Perëndisë të vjehrrës së saj. Është një gjë të duash shtigjet e Zotit kur gjithçka shkon mirë dhe një gjë tjetër t’i ndjekësh më këmbëngulje nën të gjitha dekurajimet dhe vështirësitë. Puthja e një pretendimi të jashtëm është shumë e lirë dhe e lehtë, por besnikëria praktike kundrejt Zotit, e cila duhet ta tregojë veten në një vendim të shenjtë për të vërtetën dhe shenjtërinë, nuk është gjë e vogël.
Si qëndron puna me ne, a është vallë zemra jonë e ngulitur në Jezusin, a është vallë flijimi i lidhur me litarë në brirët e altarit? A kemi llogaritur vallë koston dhe a jemi vallë solemnisht gati të vuajmë çdo humbje të kësaj bote për hir të Mjeshtrit? Fitimi që do të kemi më pas do të jetë një shpërblim i bollshëm, sepse thesaret e Egjiptit nuk kanë të krahasuar me lavdinë që do të na zbulohet. Nuk dëgjohet më për Orpahun; në një rehati të lavdishme dhe kënaqësi idhujtare jeta e saj tretet në zymtinë e vdekjes, por Ruthi jeton në histori dhe në qiell, sepse hiri e ka vendosur atë në vijën fisnike prej së cilës doli Mbreti i mbretërve. Të bekuara midis grave do të jenë ato që për hir të Krishtit mund të heqin dorë nga gjithçka, por të harruar dhe më keq se të harruar do të jenë ato që në orën e tundimit dhunojnë ndërgjegjen dhe kthehen te bota. Oh, këtë mëngjes mos qofshim të kënaqur me formën e përkushtimit që mund të mos jetë më mirë se puthja e Orpahut, por Fryma e Shenjtë punoftë brenda nesh një bashkim të gjithë zemrës sonë me Zotin Jezus.
15 dhjetor-mbrëmje
“Do të të themeloj mbi safirët.”
{Isaia 54:11}
Jo vetëm ajo që është e dukshme në kishën e Perëndisë, por edhe ajo që është e padukshme është e hijshme dhe e çmueshme. Themelet nuk duken dhe përsa kohë që ato janë të qëndrueshme vlera e tyre nuk është e dukshme, por në veprën e Jehovait çdo gjë është prej një materiali, asgjë e papërshtatshme, asgjë e ulët. Themelet e thella të veprës së hirit janë si safirët për çmueshmërinë e tyre, asnjë mendje njerëzore nuk është e mundur të masë lavdinë e tyre. Ne ndërtojmë mbi besëlidhjen e hirit, që është më e qëndrueshme se diamanti dhe po aq jetëgjatë sa gurët e çmuar. Themelet prej safiri janë të përjetshëm dhe besëlidhja mbetet gjatë gjithë jetës së të Plotfuqishmit. Një tjetër themel është personi i Zotit Jezus, që është i pastër dhe i panjollë, i përhershëm dhe i bukur si safiri; duke bashkuar në një të vetëm blunë e thellë të oqeanit përherë dallgëzues së tokës me kaltërsinë e qiellit të tij gjithëpërfshirës.
Një herë Zoti ynë mund t’i ketë ngjarë rubinit teksa qëndronte i mbuluar prej vetë gjakut të tij, por tani ne e shikojmë Atë rrëzëllues me blunë e butë të dashurisë, dashuri me bollëk, të thellë, të përjetshme. Shpresat tona të përjetshme janë të ndërtuara mbi drejtësinë dhe besnikërinë e Perëndisë, që janë të pastra dhe të qarta si safiri. Ne nuk jemi të shpëtuar prej kompromisit, prej mëshirës që mposht drejtësinë, ose prej ligjit që ndërpret efektet e tij; jo, ne sfidojmë syrin e shqiponjës për të zbuluar ndonjë të çarë në themelin e mirëbesimit tonë—themeli jonë është prej safiri dhe do t’i rezistojë zjarrit. Zoti vetë ka hedhur themelin e shpresës së popullit të Tij. Kërkohet këqyrje serioze për të parë nëse shpresat tona janë të ndërtuara mbi një bazë të tillë. Veprat e mira dhe ceremonitë nuk janë një themel safiri, por prej druri, kashte dhe kamjalle; po ashtu ato nuk janë të vendosura prej Perëndisë, por prej vetë mashtrimit tonë. Edhe pak dhe të gjitha themelet do të vihen në provë; mjerë ai njeri, kulla e lartë e të cilit do të rrëzohet poshtë me zhurmë, ngaqë ka qenë themeluar mbi rërë. Ai që është i ndërtuar mbi safirë mund të presë stuhinë ose zjarrin me qetësi, sepse ai do t’i bëjë ballë sprovës.
16 dhjetor-mëngjes
“Ejani tek unë.”
{Mateu 11:28}
Thirrja e besimit të krishterë është një fjalë e butë, “Eja.” Ligji hebre thoshte vrazhdë, “Shko dhe ki kujdes hapat e tua për udhën në të cilën do të ecësh. Thyej urdhëresat dhe do të vdesësh; ruaji dhe do të jetosh.” Ligji ishte një urdhëresë tmerri, e cila i shtynte njerëzit përpara si me një kamxhik; ungjilli tërheq me lidhje dashurie. Jezusi është Bariu i mirë që ecën përpara deleve, duke i thënë atyre ta ndjekin dhe përherë duke i udhëhequr përpara me fjalën e ëmbël, “Eja.” Ligji zmbraps, ungjilli tërheq. Ligji tregon largësinë që ka midis Perëndisë dhe njeriut; ungjilli i vë urën kësaj ndarje të tmerrshme dhe e sjell mëkatarin përmes saj.
Që prej çastit të parë të jetës tuaj shpirtërore derisa sa të shoqëroheni në lavdi, gjuha e Krishtit ndaj jush do të jetë, “Ejani, ejani tek unë.” Ashtu si një nënë e mëson fëmijën e saj dhe e merr me të mirë duke thënë, “Eja,” po ashtu bën Jezusi. Ai do të jetë përherë para jush, duke ju ftuar ta ndiqni ashtu si ushtari ndjek kapitenin e tij. Ai do të shkojë përherë përpara jush për t’ju përgatitur udhën, për të pastruar shtegun tuaj dhe do të dëgjoni zërin e Tij jetëdhënës përgjatë gjithë jetës tuaj ndërsa ju thërret për të shkuar mbas Tij, ndërsa në orën solemne të vdekjes, fjalët e Tij të ëmbla me të cilat Ai do t’ju shoqërojë në botën qiellore do të jenë—”Ejani, të bekuar të Atit tim.” Po, për më tepër, kjo nuk është vetëm thirrja e Krishtit drejt teje, por, nëse je një besimtar, kjo është thirrja jote drejt Krishtit—”Eja! Eja!” Do të dëshirosh me zjarr ardhjen e Tij të dytë; do të jesh duke thënë, “Po, eja, Zoti Jezus.” Do të dëshirosh me zjarr për shoqërim më të afërt dhe më të ngushtë me Të. Ashtu siç zëri i Tij për ty është “Eja,” përgjigjja jote do të jetë, “Eja Zot dhe qëndro me mua. Eja dhe vetëm Ti zër fronin e zemrës sime; mbretëro atje pa as dhe një rival dhe më përkushto të tërin për shërbimin Tënd.”
16 dhjetor-mbrëmje
“Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë.” {Isaia 48:8}
Është e dhimbshme të kujtosh se, në një farë shkalle, kjo akuzë mund t’i drejtohet besimtarëve, të cilët shumë shpesh janë në një farë mase të pandjeshëm shpirtërisht. Me të drejtë qahemi se nuk e dëgjojmë zërin e Perëndisë ashtu siç duhet, ” Jo, ti as nuk i ke dëgjuar.” Janë lëvizjet e buta të Frymës së Shenjtë në shpirt që nuk ia vëmë veshin; ka pëshpërima të urdhëresës hyjnore dhe të dashurisë qiellore që po ashtu nuk vihen re prej intelektit tonë prej plumbi. Sa keq! ne kemi qenë të pavëmendshëm dhe të paditur—”Jo, ti as nuk i ke ditur.” Ka çështje brenda të cilave ne duhet të kishim parë, korruptime që kanë përparuar pa u vënë re; ndjenja të ëmbla që po shpërfytyrohen po ashtu si lulet në ngricë, të lëna pa kujdes nga ana jonë; shikime të fytyrës hyjnore që mund të shikoheshin nëse nuk do të zinim me mur dritaret e shpirtit tonë. Por ne “nuk i kemi ditur.”
Teksa mendojmë lidhur me këtë gjë, e ulim veten gjithnjë e më shumë. Sa duhet që të adhurojmë hirin e Perëndisë teksa mësojmë prej kontekstit se e gjitha kjo çmenduri dhe padije nga ana jonë ishte e paranjohur prej Perëndisë dhe pavarësisht kësaj paranjohje, prapëseprapë Atij i pëlqeu të na trajtojë me mëshirë! Admiro hirin sovran të mrekullueshëm që na ka zgjedhur pavarësisht gjithë këtyre gjërave! Rri i habitur prej çmimit që u pagua për ne ndërkohë që Krishti e dinte se çfarë do të ishim! Ai që u var në kryq na parashikoi si mosbesues, tradhtarë, zemërftohtë, të pakujdesshëm, të plogësht në lutje dhe prapëseprapë Ai thotë, “Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt… Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe Unë të dua, Unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate!” O shpengim, sa mrekullisht ti shkëlqen kur ne mendojmë se sa të zinj që jemi! O Frymë e Shenjtë, na jep që këtej e tutje veshin dëgjues, një zemër që kupton!
17 dhjetor-mëngjes
“Unë të kujtoj ty.”
{Jeremia 2 :2}
Le të vëmë re se Krishti ka ëndje të mendojë për kishën e Tij dhe të shikojë bukurinë e saj. Po ashtu si zogu kthehet shpesh në folenë e tij dhe udhëtari shpejton për te shtëpia e tij, po ashtu mendja vazhdimisht ndjek objektin e zgjedhjes së saj. Ne nuk mund të shikojmë kurrë tepër mbi atë fytyrë që duam; ne dëshirojmë përherë të kemi gjërat tona të çmueshme përpara nesh. Po ashtu është edhe me Zotin Jezus. Prej përjetësisë Ai “gjen ëndjen me bijtë e njerëzve;” mendimet e Tij u rrokullisën përpara në kohën kur të zgjedhurit e tij do të vinin në jetë; Ai i pa ata në pasqyrën e paranjohjes së Tij. “Në librin tënd,” ai thotë, “ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.” {Psalmi 139:16} Kur bota u vu mbi shtyllat e saj, Ai ishte atje dhe vendosi kufijtë e popujve sipas numrit të fëmijëve të Izraelit. Shumë herë përpara mishërimit të Tij, Ai zbriti në këtë tokë në ngjashmërinë e një njeriu; në fushat e Mamres {Zanafilla 18}, në përroin e Jabokut, {Zanafilla 32 :24-30} poshtë mureve të Jerikos, {Jozueu 5 :13} dhe në furrën e zjarrtë të Babilonisë, {Danieli 3 :19,25} Biri i Njeriut vizitoi popullin e Tij.
Sepse shpirti i Tij gjente shumë kënaqësi në ta, Ai nuk mund të qëndronte larg prej tyre, sepse zemra e Tij digjej me zjarr për ta. Ata kurrë nuk mungonin në zemrën e Tij, sepse Ai i ka shkruar emrat e tyre mbi duart e Tij dhe i ka gdhendur në ijën e Tij. Po ashtu si parzmorja që mbante emrat e fiseve të Izraelit, ishte zbukurimi më i shkëlqyeshëm i veshur prej kryepriftit, po ashtu emrat e të zgjedhurve të Krishtit janë gurët e Tij më të çmuar dhe rrëzëllejnë në zemrën e Tij. Ne mund të harrojmë shpesh të përsiatim mbi përkryerjet e Zotit tonë, por Ai nuk pushon kurrë të na kujtojë. Le të qortojmë vetveten për harresat tona të kaluara dhe të lutemi për hir me qëllim që ta kemi Atë përherë në kujtesë. Zot, krijo në bebet e syrit tim imazhin e Birit tënd.
17 dhjetor-mbrëmje
“Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.”
{Gjoni 10 :9}
Jezusi, i madhi Unë Jam, është hyrja për në kishën e vërtetë dhe udha për te vetë Perëndia. Ai i jep njeriut që vjen përmes Tij te Perëndia katër privilegje të zgjedhura.
1. Ai do të shpëtohet. Vrasësi që largohej me nxitim kaloi portën e qytetit të strehimit dhe ishte i sigurtë. Noeu hyri në portën e arkës dhe ishte i sigurtë. Ata që e marrin Jezusin në shpirtrat e tyre si portën e besimit të tyre nuk mund të humbasin. Hyrja në paqe me anë të Jezusit është garancia e hyrjes në qiell me anë të së njëjtës portë. Jezusi është e vetmja portë, një portë e hapur, një portë e gjerë, një portë e sigurtë; dhe i bekuar qoftë ai që mbështet të gjithë shpresën e tij për pranimin në lavdi te Shpenguesi i kryqëzuar.
2. Ai do të hyjë. Ai do të jetë i privilegjuar për të hyrë mes familjes hyjnore, duke ngrënë prej bukës së fëmijëve dhe duke marrë pjesë në të gjithë nderet dhe gëzimet e tyre. Ai do të shkojë brenda në dhomat e shoqërimit, në banketet e dashurisë, në thesaret e besëlidhjes, në depot e premtimeve. Ai do të hyje te Mbreti i mbretërve në fuqinë e Frymës së Shenjtë dhe sekreti i Zotit do të jetë me të.
3. Ai do të dalë. Ky bekim harrohet shumë. Ne dalim jashtë në botë për të punuar dhe për të vuajtur, por çfarë mëshire të shkosh në emrin dhe fuqinë e Jezusit! Ne jemi thirrur për të dëshmuar të vërtetën, të gëzojmë të pangushëlluarit, të paralajmërojmë të pakujdesshmin, të fitojmë shpirtra dhe të lavdërojmë Perëndinë dhe po ashtu si engjëlli i tha Gideonit, “shko me këtë fuqi që ke,” po ashtu Zoti do të donte për ne që të ecim si korrierët e Tij në emrin dhe fuqinë e Tij.
4. Ai do të gjejë kullotë. Ai që e njeh Jezusin nuk do të jetë kurrë në nevojë. Të hyjë ose të dalë do të jenë të dyja të dobishme për të; në shoqërim me Perëndinë ai do të rritet dhe duke ujitur të tjerët ai do të ujitet. Duke pasur bërë Jezusin gjithçkanë e tij, ai do të gjejë gjithçka në Jezusin. Shpirti i tij do të jetë si një kopsht i ujitur dhe si një burim që nuk i mungon kurrë uji.
18 dhjetor-mëngjes
“Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja.”
{Joeli 2:13}
Grisja e rrobave dhe shenja të tjera të jashtme të emocionit fetar shfaqen lehtë dhe janë shpesh hipokrite, por të ndjesh një pendim të vërtetë është shumë më e vështirë dhe si rrjedhojë shumë më pak e zakonshme. Njerëzit do të marrin pjesë në rregulloret ceremoniale e shumta dhe të detajuara—sepse të tilla gjëra i pëlqejnë mishi, por feja e vërtetë është tepër përulëse, tepër zemërhetuese, tepër e përsosur për shijet e njerëzve mishorë; ata preferojnë diçka shumë më të dukshme, më të paqëndrueshme dhe më tokësore. Ushtrimet e jashtme janë përkohshëm ngushëlluese; syri dhe veshi kënaqen; mendjemadhësia ushqehet dhe vetëdrejtësia fryhet, por përfundimisht ato janë zhgënjyese, sepse në pikën e vdekjes dhe në ditën e gjykimit, shpirti ka nevojë për diçka më tepër thelbësore ku të mbështet se sa ceremonitë dhe ritualet. Pa përshpirtshmërinë jetësore çdo fe është tërësisht e kotë; e ofruar pa një zemër të sinqertë, çdo formë adhurimi është një gënjeshtër solemne dhe një tallje e paturpshme kundrejt madhërisë qiellore.
Grisja e zemrës përjetësohet hyjshmërisht dhe ndjehet solemnisht. Është një dhembje e fshehur që është e përjetuar personalisht, jo thjesht formalisht, por si një vepër zemërprekëse dhe e thellë e Frymës së Shenjtë në thellësinë e zemrës së çdo besimtari. Nuk është një çështje thjesht për t’u folur dhe për t’u besuar, por për t’u ndjerë mprehtësisht në çdo fëmijë të ripërtërirë të Perëndisë të gjallë. Është diçka fuqishëm përulëse dhe tërësisht mëkat-fshirëse, por atëherë është ëmbëlsisht përgatitëse për ato ngushëllime të hirshme që frymët krenare të papërulura janë të paafta për të marrë; dhe është dukshëm përzgjedhëse, sepse i përket të zgjedhurve të Perëndisë dhe vetëm atyre. Teksti na urdhëron të grisim zemrat tona, por ato janë natyrshëm të ngurta si mermeri; si vallë pra mund të bëhet kjo gjë? Ne duhet t’i shpiem ato te Kalvari; zëri i Shpëtimtarit duke dhënë shpirt i thërrmon menjëherë shkëmbinjtë dhe është po aq i fuqishëm tani. O Frymë e bekuar, le të dëgjojmë klithmat e vdekjes së Jezusit dhe zemrat tona do të grisen po ashtu si njerëzit grisin rrobat e tyre në ditën e vajtimit.
18 dhjetor-mbrëmje
“Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua.”
{Fjalët e urta 27:23}
Çdo tregtar i urtë herë pas herë do të kryejë një inventarizim, ku do të nxjerrë llogaritë e tij dhe do të shqyrtojë çfarë ka në dorë dhe do të certifikojë me siguri nëse tregtia e tij është e begatë ose në rënie. Çdo njeri që është i urtë në mbretërinë e qiellit, do të thërrasë, “Më heto o Perëndi dhe njihe zemrën time;” dhe ai do të vërë mënjanë periudha të veçanta për vetë-shqyrtim, për të zbuluar nëse gjërat janë mirë midis Perëndisë dhe shpirtit të tij. Perëndia që ne adhurojmë është një zemër-shqyrtues i madh; dhe në të kaluarën shërbëtorët e Tij e njihnin si “Zoti heton të gjitha zemrat dhe që provon zemrat dhe mendjet.” Më lejoni që t’ju zgjoj në emër të Tij për t’i bërë shqyrtim të zellshëm dhe ekzaminim solemn gjendjes suaj, që të mos mbeteni pa prehjen e premtuar. Atë që çdo njeri i urtë e bën, atë që vetë Perëndia e bën me ne të gjithë, ju jap zemër që ta kryeni për veten tuaj këtë mbrëmje.
Shenjtorët më të vjetër le të shikojnë mirë në themelet e përshpirtshmërisë së tyre, sepse flokët e thinjura mund të mbulojnë zemra të zeza; dhe besimtari i ri le të mos përçmojë fjalën e paralajmërimit sepse blerimi i rinisë mund të shkojë dorë për dore me kalbësirën e dyfytyrësisë. Më përpara si dhe tani një kedër bie në mesin tonë. Armiku akoma vazhdon të mbjellë egjër midis grurit. Nuk është qëllimi im që të mbjell dyshime dhe frikë në mendjet tuaja; jo, me të vërtetë, por përkundrazi do të shpresoj që era e fortë e vetëshqyrtimit të mund të ndihmojë për t’i larguar ato. Nuk është sigurinë, por sigurinë mishore që ne duhet të vrasim; jo mirëbesimin, por mirëbesimin mishor që ne duhet të përmbysim; jo paqen, por paqen e rreme që ne duhet të shkatërrojmë. Me anë të gjakut të çmuar të Krishtit që nuk u derdh për t’ju bërë një hipokrit, por që shpirtrat e sinqertë të mund të shpallin lavdinë e Tij, ju përgjërohem, shqyrtoni dhe shikoni, nga frika që të mos thuhet për ju, “Mene, Mene,Tekel: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.”
19 dhjetor-mëngjes
“Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.”
{Proverbat 16 :33}
Nëse rezultati i shortit i përket Zotit, kujt i përket vallë rregullimi i gjithë jetës sonë? Nëse dhe një hedhje e thjeshtë shorti varet nga Ai, aq më tepër ngjarjet e tërë jetës sonë—veçanërisht kur na thuhet nga Shpëtimtari ynë i bekuar: “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.” Do të të sjellë një paqe të shenjtë në mendjen tënde, mik i shtrenjtë, nëse do ta kujtoje përherë këtë gjë. Kaq shumë do ta çlirojë mendjen tënde prej ankthit sa do të jesh shumë më i aftë për të ecur në durim, qetësi dhe gëzim ashtu si një i krishterë duhet të ecë. Kur një njeri është i merakosur ai nuk mund të lutet me besim; kur është i trazuar prej botës ai nuk mund t’i shërbejë Mjeshtrit të tij, mendimet e tij i shërbejnë vetes së vet. Nëse “para së gjithash kërkon mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, të gjitha këto gjëra do të të shtohen.”
Je duke ndërhyrë në punën e Krishtit dhe duke lënë pas dorë punën tënde nëse shqetësohesh në lidhje me riskun tënd dhe rrethanat. Je përpjekur të “sigurosh” punë dhe ke harruar se të përket ty të bindesh. Ji i urtë dhe bindu dhe lëre Krishtin të sigurojë gjërat që duhen. Eja dhe mbikëqyr depot e Atit tënd dhe a mendon vallë se do të të lërë të vdesësh urie ndërsa ka grumbulluar një bollëk kaq të madh në hambarin e Tij? Shiko zemrën e Tij mëshiruese; shiko nëse zemra e Tij mund të të trajtojë keq! Shiko urtësinë e Tij të pahulumtueshme; shiko nëse do të ketë aty ndonjë gabim. Mbi të gjitha, shiko Krishtin Ndërmjetësin tënd dhe pyet veten, ndërsa Ai ndërhyn për ty, a mund që Ati yt të të trajtojë pa hir? Nëse Ai kujton edhe harabelat, a do të harronte vallë një prej më të vegjëlve të fëmijëve të tij të varfër? “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe Ai do të të mbajë; Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.”
Shpirti im, rri i lumtur në gjendjen tënde,
As mos shpreso as dëshiro të jesh i madh;
Të marrësh vulën e Vullnetit Hyjnor,
Kjo qoftë lavdia jote dhe këto pasuri të tuat.
19 dhjetor-mbrëmje
“Deti nuk ishte më.”
{Zbulesa 21:1}
Zor se do të gëzoheshim prej mendimit së humbjes së të vjetrit oqean të lavdishëm; qiejt e rinj dhe toka e re nuk do të ishin më të bukur për përfytyrimin tonë, nëse, me të vërtetë nuk do të kishte më det të gjerë dhe të madh, me dallgët e tij shkëlqyese dhe brigjet e tij me guaska. A nuk është për t’u lexuar teksti si një metaforë që është përzier me paragjykimin me anë të cilës mendja orientale universalisht e shikonte detin në kohërat e vjetra? Një botë fizike e vërtetë pa një det është një gjë e zymtë për t’u përfytyruar, do të ishte si një unazë hekuri pa safirin që e bën atë të çmueshme. Duhet të ketë një kuptim shpirtëror këtu. Në hirdhënien e re nuk do të ketë më ndarje—deti ndan kombe dhe popuj të ndryshëm prej njeri tjetrit. Për Gjonin në Patmos ujërat e thella ishin si mure burgu, duke e izoluar atë larg prej vëllezërve dhe punës së tij; nuk do të ketë pengesa të tilla në botën e ardhshme. Lega dallgësh valëvitëse shtrihen mes nesh dhe shumë të afërmve që sonte i kujtojmë në lutje, por në botën e shndritshme për ku ne shkojmë do të ketë shoqërim të pandërprerë për të gjithë familjen e të shpenguarve. Në këtë kuptim nuk do të ketë më det.
Deti është emblema e ndryshimit; me baticat dhe zbaticat e tij, me qetësinë e tij të qelqtë dhe me dallgët e tij gjigante, me murmurimat e tij të buta dhe ulërimat e tij të zhurmshme, nuk është kurrë për shumë kohë i njëjti. Skllav i erërave levarashe dhe i hënës së ndryshueshme, paqëndrueshmëria e tij është proverbiale. Në gjendjen tonë njerëzore ne kemi shumë ngjashmëri me të; toka është e qëndrueshme vetëm në paqëndrueshmërinë e saj, por në gjendjen qiellore çdo ndryshim i zymtë do të jetë i panjohur dhe bashkë me të çdo frikë stuhie që do të shkatërronte shpresat tona dhe do të mbyste gëzimet tona. Deti i qelqtë rrëzëllen me një lavdi që nuk trazohet nga asnjë dallgë. Asnjë stuhi nuk ulërin përgjatë brigjeve të paqshme të parajsës. Së shpejti do të arrijmë atë tokë të lumtur ku ndarjet, ndryshimet dhe stuhitë do të marrin fund! Jezusi do të na çojë atje. A jemi në Të apo jo? Kjo është çështja e madhe.
20 dhjetor-mëngjes
“Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme.”
{Jeremia 31 :3}
Ndonjëherë Zoti Jezus i shpreh kishës së Tij mendimet e Tij të dashurisë. “Nuk i duket mjaftueshëm t’ia thotë mbrapa kurrizit, por në vetë praninë e saj Ai thotë, “Ti je e tëra e bukur, mikja ime.” Është e vërtetë, kjo nuk është metoda e Tij e zakonshme; Ai është një dashurues më i urtë dhe e di se kur ta përmbajë shpalljen e dashurisë dhe kur ta shprehë, por ka kohëra kur Ai nuk e mban të fshehur, kohëra kur ia thotë haptas pa më të voglin dyshim shpirtrave të njerëzve të Tij” (Predikimet e R.Erskin-it). Frymës së Shenjtë i pëlqen, në një mënyrë tepër të hirshme, t’i dëshmojë shpirtrave tanë dashurinë e Jezusit. Ai merr nga gjërat e Krishtit dhe na i zbulon neve. Asnjë zë nuk dëgjohet prej reve dhe asnjë vizion nuk shikohet natën, por ne kemi një dëshmi më të sigurtë se secila prej këtyre.
Nëse një engjëll do të fluturonte prej qiellit dhe t’ia bënte personalisht të ditur shenjtorit dashurinë e Shpëtimtarit për të, dëshmia nuk do të ishte as dhe një thërrime më e kënaqshme se sa ajo që jepet në zemër prej Frymës së Shenjtë. Pyet ata që i përkasin popullit të Zotit të cilët kanë jetuar më afër portave të qiellit dhe do të të thonë se kanë patur periudha kur dashuria e Krishtit ndaj tyre ishte një fakt aq i qartë dhe i sigurt sa nëse do ta vinin në dyshim do të ishte njësoj sikur të vinin në dyshim vetë qenien e tyre. Po, besimtar i dashur, ti dhe unë kemi pasur kohëra freskimi prej pranisë së Zotit dhe atëherë besimi ynë është ngjitur në majat më të larta të sigurisë. Ne kemi pasur mirëbesim për të mbështetur kokat tona mbi kraharorin e Zotit tonë dhe nuk e kemi dyshuar më shumë dashurinë e Mjeshtrit tonë se sa Gjoni e vuri në pikëpyetje kur ishte në atë qëndrim të bekuar; jo, aspak; sepse, “Zot, kush është ai që po të tradhton” është vënë larg nesh. Ai na ka puthur me puthjet e buzëve të Tij dhe ka vrarë dyshimet tona me anë të përqafimit të Tij të ngrohtë. Dashuria e Tij ka qenë për shpirtrat tonë më e ëmbël se vera.
20 dhjetor-mbrëmje
“Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre.”
{Mateu 20 :8}
Perëndia është një punëdhënës i mirë; Ai i paguan shërbëtorët e Tij ndërsa janë duke punuar dhe po ashtu mbasi kanë mbaruar punën; dhe një prej pagesave të Tij është kjo; një ndërgjegje e pastër. Nëse dikujt i ke folur besnikërisht në lidhje me Jezusin, kur shkon në shtrat natën ndjehesh i lumtur tek mendon, “këtë ditë kam lehtësuar ndërgjegjen time në lidhje me gjakun e atij njeriu.” Ka një ngushëllim të madh ndërsa bëjmë diçka për Jezusin. Oh, çfarë lumturie të vendosësh gurë të çmuar në kurorën e Tij dhe t’i japësh rast të shikojë punën e zellshme të shpirtit të Tij! Ka gjithashtu një shpërblim shumë të madh ndërsa shikon sythat e parë të bindjes në një shpirt! Të thuash për atë vajzë në klasë, “ajo është zemërbutë, shpresoj shumë se është Zoti që është duke punuar brenda saj.” Të shkosh në shtëpi dhe të lutesh për atë djalë, i cili tha diçka mbasdite që të bëri të mendosh se ai di më shumë në lidhje me të vërtetën hyjnore se sa ta merrte mendja!
Oh, gëzimi i shpresës! Mirëpo, përsa i përket gëzimit të suksesit, është diçka e pashprehshme. Ky gëzim, rrëmbyes ashtu siç është, është diçka që të shton urinë—ti dëshiron me zjarr për më tepër. Të jesh një shpirtfitues është gjëja më e lumtur në botë. Për çdo shpirt që ti sjell te Krishti, sjell një qiell të ri mbi tokë. Mirëpo kush mund ta përfytyrojë dot lumninë që na pret lart! Oh, sa e ëmbël është shprehja, “Hyr në gëzimin e Zotit tënd!” A e di vallë se çfarë është gëzimi i Krishtit për një mëkatar të shpëtuar! Ky është po ai gëzim që ne do të zotërojmë në qiell. Po, kur Ai ngjitet lart në fron, do te ngjitesh bashkë me Të. Kur qiejt do të kumbojnë me “Të lumtë, të lumtë,” do të kesh pjesën tënde të shpërblimit; ke punuar me Të, ke vuajtur me Të, tani do të mbretërosh me Të; ke mbjellur me Të, do të korrësh me Të; fytyra jote ishte e mbuluar me djersë si e tija dhe shpirti jot u pikëllua prej mëkateve të njerëzve ashtu si shpirti i Tij, tani fytyra jote do të jetë e ndritur me shkëlqimin e qiellit po ashtu si pamja e Tij dhe tani shpirti jot do të mbushet me gëzime të bekuara po ashtu si shpirti i Tij.
21 dhjetor-mëngjes
“Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.”
{2 Samueli 23 :5}
Kjo besëlidhje është hyjnore në origjinat e saj. “Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.” Oh, ajo fjalë e madhe, Ai! Ndalu, shpirti im. Perëndia, Ati i përjetshëm, ka hyrë në një besëlidhje me ty; po, Ai Perëndi që e solli botën në ekzistencë me anë të fjalës; Ai, duke u ulur poshtë prej madhërisë së Tij, të shtrëngon dorën dhe lidh një besëlidhje me ty. A nuk është një vepër që me begenisjen e saj të habitshme do të rrëmbente zemrat tona përherë nëse do të mund ta kuptonim me të vërtetë? “Ai ka lidhur me mua një besëlidhje.” Nuk është një mbret që ka lidhur besëlidhje me mua—kjo do të ishte diçka, por është Princi i mbretërve të tokës, Shadai, Zoti i gjithëmjaftueshëm, Jehovai i kohërave, Elohimi i përjetshëm, “Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.” Mirëpo vëre se është e veçantë në zbatimin e saj. “Ai ka lidhur me Mua një besëlidhje të përjetshme.” Këtu qëndron ëmbëlsia e saj për çdo besimtar. Nuk ka vlerë për mua nëse Ai ka bërë paqe me botën; dua të di nëse Ai ka bërë paqe me mua! Është gjë e vogël që Ai ka lidhur një besëlidhje, dua të di nëse Ai ka lidhur një besëlidhje me mua. E bekuar është siguria se Ai ka lidhur një besëlidhje me mua! Nëse Perëndia Fryma e Shenjtë më jep këtë siguri, atëherë shpëtimi i Tij është imi, zemra e Tij është imja, Ai vetë është imi—Ai është Perëndia im.
Kjo besëlidhje është e përjetshme në zgjatjen e saj. Një besëlidhje e përjetshme do të thotë një besëlidhje që nuk ka fillim dhe që nuk do të mbarojë kurrë, kurrë. Sa gjë e ëmbël mes gjithë pasigurive të jetës të njohësh se “themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur” dhe të kesh vetë premtimin e Perëndisë, “Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t`i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.” Po ashtu si Davidi në çastet e fundit të jetës, do të këndoj për këtë, edhe pse shtëpia ime nuk është me Perëndinë ashtu si zemra ime do të dëshironte.
21 dhjetor-mbrëmje
“Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura,të vura sandale prej lëkure baldoseje,të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.”
{Ezekieli 16 :10}
Shiko se me çfarë zemërgjerësie të pakrahasueshme Zoti siguron për veshjen e popullit të Tij. Ata janë të veshur në mënyrë të tillë sa aftësia hyjnore spikat duke prodhuar një veshje të qëndisur të pashoqe, ku çdo atribut ka pjesën e tij dhe çdo bukuri hyjnore vihet në pah. Nuk ka art të krahasueshëm me artin e shfaqur në shpëtimin tonë, nuk ka vepër të tillë të urtë sa ajo që spikat në drejtësinë e shenjtorëve. Drejtësimi ka bërë për vete penda erudite në të gjitha kohërat e kishës dhe do të jetë temë admirimi në përjetësi. Perëndia me të vërtetë “e ka endur në thellësitë e tokës.” Në gjithë këtë përpunim ka një përzierje dobishmërie dhe qëndrueshmërie, e krahasueshme me veshjen tonë me sandale prej lëkure baldoseje.
Kafsha për të cilën bëhet fjalë këtu është e panjohur, por lëkura e saj mbulonte tabernakullin dhe formonte një prej lëkurave më të forta dhe më të mira. Drejtësia që është prej Perëndisë me anë të besimit zgjat përherë dhe ai që është i veshur me këtë përgatitje hyjnore do të shkelë shkretëtirën plot me siguri dhe mund edhe ta vendosë këmbën e tij mbi luanin dhe nepërkën. Pastërtia dhe dinjiteti i veshjes sonë së shenjtë nxirren në pah në lirin e hollë. Kur Zoti shenjtëron popullin e Tij, ata janë të veshur si priftërinj me të bardhë të pastër; edhe vetë bora nuk ia kalon dot; në sytë e njerëzve dhe të engjëjve ata janë të hijshëm për t’u parë dhe madje edhe në sytë e Zotit ata janë pa njollë. Ndërkohë petku mbretëror është delikat dhe i pasur si mëndafshi. Asnjë shpenzim, asnjë bukuri, asnjë gjellë e përzgjedhur nuk kursehet. Çfarë atëherë? A nuk rrjedh ndonjë gjë prej kësaj? Me siguri që duhet të ndjejmë mirënjohje dhe të shprehim gëzim. Eja, zemra ime, mos e kundërshto halelujën tënde të mbrëmjes! Akordo fyejt! Prek kordat !
Çuditërisht, shpirti im, je veshur
Prej Trinitetit të shenjtë!
Në harmoninë më të ëmbël të lavdërimit
Të gjitha fuqitë e tua qofshin të bashkuara.
22 dhjetor- mëngjes
“Unë të forcoj.”
{Isaia 41 :10}
Perëndia zotëron një rezervë të fuqishme me të cilën Ai mund të përmbushë këtë zotim, sepse Ai është i aftë të bëjë gjithçka. Besimtar, derisa nuk ke tharë oqeanin e plotfuqishmërisë, derisa nuk ke bërë copa-copa malet e larta të fuqisë së madhe, nuk ke pse të kesh frikë. Mos mendo se forca e njeriut do të jetë ndonjëherë e aftë të mposhtë pushtetin e Perëndisë. Ndërkohë që shtyllat gjigante të tokës qëndrojnë, ke mjaftueshëm arsye për të qëndruar i fortë në besimin tënd. I njëjti Perëndi që drejton tokën në orbitën e saj, që ushqen furrnaltën e zjarrtë të diellit dhe që kujdeset për ndriçuesit e qiellit, ka premtuar të të furnizojë me fuqi të përditshme. Ndërsa Ai është i aftë të mbajë universin, mos ëndërro se nuk do të mundet dot të përmbushë premtimet e Tij. Kujto atë që Ai bëri në kohët e vjetra, në brezat e mëparshëm.
Kujto se si foli dhe se u krye; se si urdhëroi dhe se krijimi u bë i qëndrueshëm. A vallë do të lodhet Ai që krijoi tokën? Ai e var botën mbi asgjë; a do të jetë vallë i paaftë Ai që kryen këtë të mbështesë fëmijët e Tij? A nuk do ta mbajë vallë fjalën e Tij se i mungon fuqia? Kush është vallë që e përmban stuhinë? A nuk kalëron Ai mbi krahët e erës dhe i bën retë karrocat e Tij dhe e mban oqeanin në pëllëmbë të dorës? Si mund vallë të mos të të ndihmojë dot? Kur Ai ka shënuar një premtim të tillë besnik, a do të lejoje ti edhe për një çast mendimin se Ai ka shkuar përtej Vetes dhe përtej fuqisë së Tij për ta përmbushur? Ah, jo! Ti nuk mund të dyshosh më gjatë. Oh Ti që je Perëndia im dhe forca ime, besoj se ky premtim do të përmbushet sepse rezervuari i pakufishëm i hirit tënd nuk mund të shterojë kurrë dhe depot plot e përplot të forcës Tënde nuk mund të boshatisen prej miqve të Tu ose të plaçkiten prej armiqve të Tu.
Tani, i dobëti le të jetë i fortë dhe
Krahu i Jehovait qoftë kënga e tyre.
22 dhjetor-mbrëmje
“Nuk janë bij të Tij, për shkak të fajit të tyre.”
{Ligji i përtërirë 32 :5}
Kush është shenja e fshehtë që pagabueshmërisht tregon fëmijën e Perëndisë? Do të ishte mburrje e kotë ta vendosnim këtë gjë prej vetë gjykimit tonë, por fjala e Perëndisë na e zbulon dhe ne mund të shkelim të sigurtë atje ku kemi zbulesën si udhërrëfyesin jonë. Tani, na thuhet në lidhje me Zotin tonë, “të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.” Prandaj, nëse unë e kam pranuar Krishtin Jezus në zemrën time atëherë jam një fëmijë i Perëndisë. Ky pranim është i përshkruar në të njëjtin varg si besim në emrin e Jezu Krishtit. Nëse, atëherë, unë besoj në emrin e Jezu Krishtit—që do të thotë të besosh thjesht me zemër në të Kryqëzuarin, ndërsa tani Shpenguesin e lartësuar, unë jam një pjesëtar i familjes së Shumëtëlartit.
Çfarë do gjë tjetër që nuk mund të kem, nëse kam këtë, kam privilegjin të bëhem fëmijë i Perëndisë. Zoti ynë Jezus e thotë këtë gjë në një formë tjetër. “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, Unë i njoh dhe ato më ndjekin.” Këtu kjo gjë është e përmbledhur në pak fjalë. Krishti i shfaqet si bariu deleve të Tij, jo të tjerëve. Sapo shfaqet, delet e Tij e dallojnë Atë—i besojnë Atij, janë të përgatitur për ta ndjekur Atë; Ai i njeh ato dhe ato e njohin Atë—ka një njohje të përbashkët—ka një ndërlidhje të vazhdueshme midis tyre. Kështu pra, e vetmja shenjë, shenja e sigurtë, shenja e pagabueshme e ripërtëritjes dhe e adoptimit është një besim zemre në Shpenguesin që është caktuar. Lexues, a je vallë në dyshim, a je i pasigurt nëse e mban apo jo shenjën e fshehtë të fëmijëve të Perëndisë? Atëherë mos lër të kalojë as dhe një çast derisa të kesh thënë, “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time.” Mos luaj me këtë gjë, të përgjërohem! Nëse ke për të luajtur kudo qoftë, le të jetë për çështje dytësore; shëndeti yt, nëse do, ose aktet e pronësisë të zotërimeve të tua, mirëpo për shpirtin tënd, shpirtin tënd të pavdekshëm dhe fatet e tij të përjetshme, të përgjërohem të jesh i zellshëm. Sigurohu për përjetësinë tënde.
23 dhjetor-mëngjes
“O mik, ngjitu më lart.”
{Lluka 14:10}
Kur jeta e hirit fillon në shpirt, ne tërhiqemi me të vërtetë afër Perëndisë, por ama me frikë dhe drithërimë të madhe. Shpirti i ndërgjegjshëm për fajin dhe prandaj i përulur, është i tmerruar me solemnitetin e pozicionit të tij; është i hedhur poshtë në tokë nga një farë ndijimi i madhërisë së Jehovait, në praninë e të Cilit qëndron. Me një druajtje kridhet në vendin më të ulët. Mirëpo, më pas, teksa i krishteri rritet në hir, edhe pse nuk do të harrojë kurrë solemnitetin e pozicionit të tij dhe nuk do të humbë kurrë atë frikë të shenjtë që duhet të rrethojë një njeri të hirshëm ndërsa ndodhet në praninë e Perëndisë që mund të krijojë ose të shkatërrojë, prapëseprapë frika e tij nuk e ka më tmerrin e saj; bëhet një adhurim i shenjtë dhe jo më një tmerr i frikshëm. Ai është i thirrur për më lart, për një hyrje më të madhe te Perëndia në Krishtin Jezus.
Atëherë njeriu i Perëndisë, duke ecur midis shkëlqesive të Hyjnisë dhe duke mbuluar me vel fytyrën e tij si kerubini i lavdishëm, me ato dy krahë, gjakun dhe drejtësinë e Jezu Krishtit, i përulur në frymë dhe me nderim të thellë, do t’i afrohet fronit; dhe duke parë atje një Perëndi dashurie, mirësie dhe mëshire, do të kuptojë më tepër karakterin besëlidhës të Perëndisë se sa Hyjninë e Tij të plotë. Ai do të shikojë në Perëndinë më tepër mirësinë e Tij se sa madhërinë e Tij dhe më tepër prej dashurisë së Tij se sa madhështisë së Tij. Pastaj, duke u përkulur përsëri si më përpara me përulësi, shpirti do të gëzojë një liri më të shenjtë ndërhyrjeje, sepse ndërsa i gjunjëzuar përpara lavdisë së Perëndisë të pafund, do të mbështetet prej vetëdijes freskuese të së qenit në praninë e mëshirës së pakufishme dhe dashurisë së pafund dhe prej kuptimit të pranimit “në të Shumëdashurin.” Kështu pra, besimtari është i urdhëruar të shkojë më lart dhe mundësohet të ushtrojë privilegjin e gëzimit në Perëndi dhe të afrimit më afër Tij në mirëbesim të shenjtë duke thënë, “Aba At.”
23 dhjetor-mbrëmje
“Jotja është edhe nata.”
{Psalmi 74 :16}
Po, Zot, Ti nuk heq dorë prej fronit Tënd kur dielli Perëndon dhe po ashtu Ti nuk e lë botën gjatë gjithë këtyre ditëve të gjata dimri të jetë preja e djallit; sytë e Tu na shikojnë ashtu si yjet dhe krahët e Tu na rrethojnë po ashtu si zodiaku rrethon si brez qiellin. Vesa e gjumit të butë dhe të gjitha ndikimet e hënës janë në duart e Tua, alarmet dhe solemnitetet e natës janë po ashtu me Ty. Kjo është gjë shumë e ëmbël për mua teksa rri zgjuar mes orëve të mesnatës ose duke lëvizur sa andej këndej në ankth. Ka fryte të çmueshme që shfaqen prej hënës dhe diellit; Zoti bëftë që të kem pjesë në to.
Nata e pikëllimit është po aq nën rregullimin dhe kontrollin e Zotit të Dashurisë sa janë ditët e ndritshme të verës kur gjithçka është lumni. Jezusi është në stuhi. Dashuria e Tij e mbështjell natën përreth si një mantel, por për syrin e besimit petku i zi zor se është një maskim. Që prej orës së parë të natës deri në agim Roja i Përjetshëm vështron shenjtorët e Tij dhe sundon hijet dhe vesat e mesnatës për më të mirën e popullit të Tij. Ne nuk besojmë në zotë rivalë, të së mirës ose të së keqes, duke qenë në garë për pushtet, por ne dëgjojmë zërin e Jehovait duke thënë, “Unë formoj dritën dhe krijoj terrin. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra.” Periudhat e zymta të ftohtësisë fetare dhe mëkatit shoqëror nuk janë të përjashtuara prej qëllimit hyjnor. Kur altarët e të vërtetës prishen dhe udhët e Perëndisë braktisen, shërbëtorët e Zotit qajnë me trishtim të hidhur, por ata nuk kanë pse të dëshpërohen, sepse kohërat më të errëta sundohen prej Zotit dhe do t’i vijë fundi në kohën e urdhëresës së Tij. Ajo që mund të na duket disfatë mund të jetë fitore për Të.
Të mbështjellur në natë të zymtë
Dhe nuk dallojmë asnjë rreze drite
Mirëpo përderisa vetë Zoti është atje,
Nuk kemi pse të kemi frikë aspak.
24 dhjetor-mëngjes
“U bë i varfër për ju.”
{2 Korintasve 8:9}
Zoti Jezu Krisht ishte përjetësisht i pasur, i lavdishëm dhe i lartësuar, por “duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju.” Po ashtu si i shenjti i pasur nuk mund të jetë i vërtetë në shoqërimin e tij me vëllezërit e tij të varfër nëqoftëse nuk ndan nga të mirat e tij për nevojat e tyre, po ashtu (e njëjta rregull vlen me kreun ashtu edhe me gjymtyrët), është e pamundur që Zoti ynë Hyjnor të mund të kishte pasur shoqërim me ne nëse nuk do të na kishte përçuar vetë pasurinë e Tij të bollshme dhe po të mos ishte bërë i varfër për të na bërë të pasur. Nëse Ai do të kishte qëndruar mbi fronin e Tij të lavdisë dhe nëse ne do të kishim vazhduar në rrënojat e rënies pa marrë shpëtimin e Tij, shoqërimi do të kishte qenë i pamundur nga të dyja anët. Pozicioni jonë për shkak të rënies, përveç se me anë të besëlidhjes së hirit, e bëri të pamundur për njeriun e rënë të komunikojë me Perëndinë po ashtu siç është për Belialin e pamundur të jetë në pajtim me Krishtin.
Prandaj, me qëllim që shoqërimi të përmbushej, ishte e nevojshme që njeriu i pasur të ndante pasurinë me të afërmit e tij, e nevojshme që Shpëtimtari i drejtë t’u jepte vëllezërve të Tij mëkatarë prej vetë përkryerjes së Tij dhe që ne, të varfër dhe fajtorë, të mund të merrnim prej plotësisë së Tij nga hiri në hir; që kështu duke dhënë dhe duke marrë, Njëri të mund të zbriste prej lartësive dhe tjetri të ngrihej lart prej thellësive dhe në këtë mënyrë të mund të përqafonin njeri tjetrin në shoqërim të përzemërt dhe të vërtetë. Varfëria duhet të pasurohet me anë të Atij në të cilin gjenden thesaret e pafund përpara se të guxojë për të pasur shoqërim; dhe faji duhet të hiqet me anë të një drejtësie të numëruar dhe që ka kaluar te ne përpara se shpirti të mund të ecë në shoqërim me pastërti. Jezusi duhet të veshë popullin e Tij me vetë rrobat e Tij, ose përndryshe Ai nuk mund t’i pranojë në pallatin e Tij të lavdisë; dhe Ai duhet t’i lajë në vetë gjakun e tij, ose përndryshe do të ishin shumë të fëlliqur për përqafimin e shoqërimit të Tij. O besimtar, këtu ka dashuri! Për hirin tënd Zoti Jezus “u bë i varfër” që të mund të të ngrejë në shoqërim me Të.
24 dhjetor-mbrëmje
“Lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë.”
{Isaia 40 :5}
Ne paraprijmë ditën e lumtur kur e gjithë bota do të kthehet në besim te Krishti; kur perënditë e paganëve do t’u hidhen krimbave dhe lakuriqëve të natës; kur romanizmi do të shpërbëhet dhe gjysmëhëna e Muhamedit do të shuhet, për të mos hedhur kurrë rrezet e saj ogurzeza mbi kombet; kur mbretërit do të gjunjëzohen përpara Princit të Paqes dhe të gjitha kombet do ta quajnë të bekuar Shpenguesin e tyre. Disa dëshpërohen për këtë shkak. Ata e shikojnë botën si një anije që po thyhet dhe po bëhet copë copë, për të mos lundruar kurrë më. Ne e dimë se bota dhe gjithçka që është brenda, një ditë do të përflaket dhe më pas ne presim qiej të rinj dhe një tokë të re, por ne nuk mund të lexojmë Biblat tona pa bindjen se—
Jezusi do të mbretërojë përsa gjatë që dielli lëshon rrezet e tij.
Ne nuk dekurajohemi për shkak se koha po kalon; ne nuk dekurajohemi prej periudhës së gjatë që Ai i ka caktuar kishës për të luftuar me sukses të vogël dhe shumë disfata. Ne besojmë se Perëndia nuk do të lejojë kurrë këtë botë, që një herë e një kohë vështroi gjakun e Krishtit që u derdh për të, të jetë përherë kështjella e djallit. Krishti erdhi këtu poshtë për të çliruar këtë botë prej ndikimit të urryeshëm të pushtetit të errësirës. Çfarë thirrme që do të jetë ajo kur njerëzit dhe engjëjt do të bashkohen duke thirrur “Alelujah, Alelujah, sepse Perëndia Zot i Plotfuqishëm mbretëron!” Çfarë kënaqësie do të ketë atë ditë duke qenë se kemi marrë pjesë në luftim, se kemi ndihmuar të thyejmë shigjetat e harkut dhe se kemi ndihmuar të arrijmë fitoren për Zotin tonë! Lum ata që janë plot mirëbesim me këtë Zot fitimtar dhe që luftojnë krah për krah me Të, duke bërë sadopak në emër të Tij dhe me forcën e Tij! Sa të mjerë ata që janë në anën e djallit! Është një anë humbëse dhe është një humbje e përjetshme. Po ti në cilën anë je?
25 dhjetor-mëngjes
“Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”
{Isai 7 :14}
Le të shkojmë sonte në Betlehem dhe në shoqërinë e barinjve të habitur dhe dijetarëve adhurues, le të shikojmë Atë që u lind Mbret i Hebrenjve, sepse me anë të besimit kemi pjesë në Të dhe mund të këndojmë, “na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë.” Jezusi është Jehovai i mishëruar, Zoti ynë dhe Perëndia ynë dhe prapëseprapë vëllai dhe miku ynë; le ta adhurojmë dhe ta admirojmë. Le të vëmë re menjëherë ngjizjen e tij të mrekullueshme. Ishte një gjë e padëgjuar më parë dhe e pashoqe deri atëherë, që një virgjëreshë të mund të ngjizte dhe të mbante një Bir. Premtimi i parë qëndron kështu, “fara e gruas” dhe jo fara e burrit.
Përderisa gruaja rebele i hapi udhën mëkatit që pati si pasojë humbjen e Parajsës, ajo dhe ajo vetëm, sjell Rifituesin e Parajsës. Shpëtimtari ynë, edhe pse me të vërtetë njeri, ishte përsa i përket natyrës së tij njerëzore i Shenjti i Perëndisë. Le të përkulemi me adhurim përpara Fëmijës së shenjtë që me pafajshmërinë e Tij i rikthen njerëzimit lavdinë e tij të vjetër; dhe le të lutemi që Ai të mund të formohet brenda nesh, shpresa e lavdisë. Mos lini pa vënë re prejardhjen e tij të përulur. Nëna e tij është e përshkruar thjesht si “një virgjëreshë,” jo një princeshë, ose profeteshë, ose një padrone e pasur. Është e vërtetë se gjak mbretërish rridhte në venat e saj; po ashtu mendja e saj nuk ishte e dobët dhe e pamësuar, sepse ajo mund të këndonte tepër ëmbëlsisht një këngë lavdie, por prapëseprapë sa i përulur pozicioni i saj, sa i varfër burri me të cilin ajo u fejua dhe sa të mjerueshme kushtet e Mbretit të sapolindur! Emanuel, Perëndia me ne në natyrën tonë, në pikëllimin tonë, në punën e një jete të tërë, në dënimin tonë, në varrin tonë dhe tani me ne, ose me mirë ne me Të, në ringjallje, në ngritje lart, në triumf dhe në shkëlqimin e Ardhjes së Tij të dytë.
25 dhjetor-mbrëmje
Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t`i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: “Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre”. Kështu bënte Jobi çdo herë.
{Jobi 1 :5}
Atë që patriarku bëri herët në mëngjes, pas festimeve familjare, do të ishte mirë për besimtarin ta bënte për veten e tij para se të pushojë sonte. Mes haresë së mbledhjeve familjare është e lehtë të rrëshqasësh në mendjelehtësi mëkatare dhe të harrosh karakterin e krishterë të pohuar para të gjithëve. Nuk duhet të jetë kështu, por ashtu është, se ditët tona të festës janë shumë rrallë ditë gëzimi të shenjtëruar dhe tepër shpesh shkasin në hare të pashenjtë. Ka një shteg gëzimi po aq i pastër dhe shenjtërues sa dikush që do të lahej në lumenjtë e Edenit; mirënjohja e shenjtë duhet të jetë një element po aq pastrues sa pikëllimi. Sa keq! për zemrat tona të gjora, ky fakt provon se shtëpia e zisë është më mirë se shtëpia e haresë.
Eja, besimtar, në çfarë ke mëkatuar sot? A ke harruar vallë thirrjen tënde qiellore? A ke qenë si të tjerët me fjalë të kota dhe fjalime të pakujdesshme? Atëherë rrëfe mëkatin dhe shko menjëherë te flijimi. Flijimi shenjtëron. Gjaku i çmuar i Qengjit të therur heq fajin dhe fshin fëlliqësinë e mëkateve tona të paditurisë dhe pakujdesisë. Ky është përfundimi më i mirë i një dite krishtlindje—të lahesh përsëri në burimin pastrues. Besimtar, eja te ky flijim vazhdimisht; nëse është kaq mirë sonte, është mirë çdo natë. Të jetosh në altar është privilegji i priftërisë mbretërore; për ta, mëkati, edhe pse gjë shumë e rëndë, prapëseprapë nuk është shkak për dëshpërim, përderisa ata afrohen përsëri te viktima mëkatshlyese dhe ndërgjegjja e tyre është e pastruar prej veprave të vdekura.
Me hare e mbyll këtë ditë festive,
Duke kapur bririn e shenjtë të altarit;
Shkarjet dhe gabimet e mia janë larë,
Qengji ka mbajtur të gjitha shkeljet e mia.
26 dhjetor-mëngjes
“Adami i fundit.”
{1 Korintasve 15 :45}
Jezusi është koka përbashkuese e të zgjedhurve të Tij. Në Adamin, çdo trashëgimtar prej mishi dhe gjaku ka pjesë, sepse ai është koka e besëlidhjes dhe përfaqësuesi i racës ashtu siç është e marrë në konsideratë nën ligjin e veprave; po ashtu nën ligjin e hirit, çdo shpirt i shlyer është një me Zotin nga qielli, përderisa Ai është Adami i Dytë, Garancia dhe Zëvendësuesi i të zgjedhurit në besëlidhjen e re të dashurisë. Apostulli Pal deklaron se Levi ishte në ijët e Abrahamit kur Melkisedeku i doli përpara; është një e vërtetë e sigurtë se besimtari ishte në ijët e Jezu Krishtit, Ndërmjetësi, kur në përjetësinë e vjetër rregullat e besëlidhjes së hirit u dekretuan, hynë në fuqi dhe u bënë të sigurta përherë. Kështu, çfarë do që Krishti ka bërë, Ai e ka kryer për të gjithë trupin e kishës së Tij.
Ne u kryqëzuam në Të dhe u varrosëm me Të, {Kolosianët 2 :10,13} dhe akoma më e mahnitshme, ne jemi ngjallur me Të dhe madje na vuri të rrimë në vendet qiellore. {Efezianët 2:6} Prandaj kisha ka përmbushur ligjin dhe është “e pëlqyer në të dashurin Birin e tij.” Prandaj ajo shikohet me mirëdashje prej Jehovait të drejtë, sepse Ai e shikon atë në Jezusin dhe nuk e vështron si të ndarë prej kokës së saj të besëlidhjes. Si Shpenguesi i Vajosur i Izraelit, Krishti Jezus nuk ka asgjë që nuk e ndan me kishën e Tij, por gjithçka që Ai ka e mban për të. Drejtësia e Adamit ishte e jona për aq gjatë sa ai e ruajti atë dhe mëkati i tij u bë i yni në çastin që mëkatoi; dhe në të njëjtën mënyrë, gjithçka që Adami i Dytë është ose bën, është e jona po ashtu si edhe e Tij, duke parë se Ai është përfaqësuesi ynë. Këtu është themeli i besëlidhjes së hirit. Ky sistem i hirshëm i përfaqësimit dhe zëvendësimit, që e shtyu Justin Martir të thërrasë, “O ndryshim i bekuar, o këmbim i ëmbël!” ky është sfondi i ungjillit të shpëtimit tonë dhe është për t’u marrë me besim të madh dhe gëzim rrëmbyes.
26 dhjetor-mbrëmje
“Dhe ja, Unë jam me ju gjithë ditët.”
{Mateu 28 :20}
Zoti Jezus është në mes të kishës së Tij; Ai ecën në mes të shandanëve të artë; premtimi i Tij është, “Ja, unë jam me ju gjithë ditët.” Ai është po aq me siguri me ne tani sa edhe ishte me dishepujt në detin e Galilesë, kur ata panë qymyr të ndezur, peshq të pjekur dhe bukë. Jo fizikisht, por prapëseprapë me vërtetësi, Jezusi është me ne. Dhe është një e vërtetë e bekuar se atje ku Jezusi është, dashuria çel. Prej të gjitha gjërave në botë që mund të ngrohin zemrën nuk ka asgjë si prania e Jezusit! Një shikim nga Ai aq shumë nga mbërthen sa jemi gati të themi, “Largo nga unë sytë e tu, sepse me turbullojnë.” Madje dhe aroma e aloes, mirrës dhe kajsisë, që lëshohet prej rrobave të tij të parfumuara, e bën të sëmurin dhe të mekurin të forcohet.
Le të ketë një çast mbështetje të kokës sonë mbi atë kraharor të hirshëm dhe le të marrim dashurinë e Tij hyjnore në zemrat tona të gjora e të ftohta dhe nuk do të jemi më gjatë të ftohtë, por do të shndrisim si serafinë, të aftë për çdo punë dhe të mundësuar për çdo vuajtje. Nëse e dimë se Jezusi është me ne, çdo fuqi do të zhvillohet, çdo hir do të forcohet dhe do të jepemi në shërbimin e Zotit me zemër, shpirt dhe forcë; prandaj prania e Krishtit duhet dëshiruar mbi gjithçka tjetër. Prania e Tij do të kuptohet më tepër prej atyre që i ngjajnë më shumë Atij. Nëse dëshironi të shikoni Krishtin, duhet të rriteni në shëmbëlltyrë me Të. Bashkohuni me anë të fuqisë së Frymës me dëshirat, motivet dhe planet e veprimit të Krishtit dhe do të favorizoheni me shoqërimin e Tij. Kujto se prania e Tij mund të fitohet. Premtimi i Tij është i vërtetë përherë. Ai ka ëndje të jetë me ne. Nëse nuk vjen, kjo ndodh sepse e pengojmë Atë për shkak të ftohtësisë sonë. Ai do t’i zbulohet lutjeve tona të zellshme dhe hirshëm do të qëndrojë me ne për shkak të përgjërimeve tona dhe lotëve tanë, sepse këto janë lidhjet e artë që lidhin Jezusin me popullin e Tij.
27 dhjetor-mëngjes
“A mund të rritet papirusi jashtë moçalit?”
{Jobi 8 :11}
Papirusi është poroz dhe i zbrazët, dhe po ashtu është një hipokrit; nuk ka thelb ose qëndrueshmëri në të. Ai tundet sa andej këndej prej çdo ere po ashtu si formalistët i jepen çdo ndikimi; për këtë arsye papirusi nuk thyhet prej stuhisë po ashtu dhe hipokritët nuk trazohen me persekutim. Nuk do të doja të isha vullnetarisht një hipokrit ose të jem i mashtruar; ndoshta teksti këtë ditë mund të më ndihmojë të provoj veten nëse jam me dy fytyra apo jo. Papirusi prej natyre jeton në ujë dhe ekzistenca e tij varet prej moçalit dhe lagështirës ku ka zënë rrënjë; le të thahet moçali dhe papirusi thahet shumë shpejt. Blerimi i tij varet absolutisht prej rrethanave dhe një bollëk i tanishëm ujërash e bën atë të lulëzojë kurse një thatësirë e shkatërron menjëherë. A është ky rasti im? A i shërbej Perëndisë vetëm kur jam në shoqëri të mirë, ose kur feja është e përfitueshme dhe e respektueshme? A e dua Zotin vetëm atëherë kur lehtësirat shekullare merren prej duarve të Tij?
Nëse kështu atëherë jam një hipokrit i poshtër dhe ashtu si papirus i vyshkur do të vdes kur vdekja do të më heqë gëzimet e jashtme. Por a mund të pohoj sinqerisht se kur lehtësirat shekullare kanë qenë të pakta dhe rrethanat e mia kanë qenë më tepër kundërshtare ndaj hirit se sa e kanë ndihmuar atë, se akoma kam qëndruar i paluhatur në ndershmërinë time? Atëherë kam shpresë se ka perëndishmëri jetësore të vërtetë në mua. Papirusi nuk mund të rritet pa moçal, por bimët e dorës së djathtë të Zotit mund dhe lulëzojnë me të vërtetë edhe në kohën e thatësirës. Një njeri i perëndishëm shpesh rritet më mirë kur rrethanat e tij shekullare shemben. Ai që ndjek Krishtin për trastën e tij është një Judë; ata që e ndjekin për bukë dhe peshq janë fëmijë të djallit, por ata që i shërbejnë prej dashurisë për Të janë të shumëdashurit e Tij. Zot, më lër të gjej jetën time në Ty dhe jo në moçalin e fitimit dhe të favorit të kësaj bote.
27 dhjetor-mbrëmje
“Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht.”
{Isaia 58 :11}
“Zoti do të të udhëheqë.” Jo një engjëll, por Jehovai do të të udhëheqë. Ai tha se nuk do të shkonte përpara popullit të Tij përmes shkretëtirës, një engjëll do të shkonte përpara tyre për t’i udhëhequr, por Moisiu tha, “Në qoftë se prania jote nuk vjen me mua, mos na nis që këtej.” I krishterë, Perëndia nuk të ka lënë gjatë shtegtimit tënd tokësor nën udhëheqjen e një engjëlli; vetë Ai udhëheq. Ti mund të mos e shohësh shtyllën e reve dhe të zjarrtë, por Jehovai nuk do të të braktisë kurrë. Vëre fjalën do të—”Zoti do të të udhëheqë.” Sa të sigurtë e bën kjo këtë gjë. Sa e sigurtë që është se Perëndia nuk do të na braktisë! Premtimet e Tij janë më mirë se betimet e njerëzve. “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
Pastaj vëre fjalën “vazhdimisht.” Ne nuk do të udhëhiqemi herë pas here, por do të kemi një kujdestar të përhershëm; nuk do t’i jepemi herë pas herë vetë kuptimit tonë dhe kështu të hallakatemi, por do të dëgjojmë vazhdimisht zërin udhërrëfyes të Bariut të Madh; dhe nëse e ndjekim hap pas hapi, nuk do të hallakatemi, por do të udhëhiqemi në shtegun e duhur në një qytet për ta banuar. Nëse do të duhet të ndryshosh pozicionin tënd në jetë; nëse duhet të emigrosh në brigje të largëta; nëse ndodh të varfërohesh, ose të ngrihesh papritur në një pozicion më me përgjegjësi se ai që zë tani; nëse hidhesh mes të të huajve, ose mes armiqve, prapëseprapë mos u dridh, sepse “Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht.” Nuk ka dilema prej të cilave nuk do të çlirohesh nëse jeton afër Perëndisë dhe zemra jote mbahet e ngrohtë me dashuri të shenjtë. Nuk humbet ai që ecën në shoqërinë e Perëndisë. Ashtu si Enoku, ec me Perëndinë dhe nuk do të gabosh rrugë. Ke urtësi të pagabueshme për të të udhëhequr, dashuri të patundur për të të ngushëlluar dhe pushtet të përjetshëm për të të mbrojtur. “Jehovai”–vëre fjalën—”Jehovai do të të udhëheqë vazhdimisht.”
28 dhjetor-mëngjes
“Ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë.”
{Galatët 2:20}
Kur Zoti në mëshirën e Tij na kaloi pranë dhe na pa në gjakun tonë, në radhë të parë Ai tha, ” Jeto” dhe këtë gjë Ai bëri fillimisht, sepse jeta është një prej gjërave absolutisht më themelore në gjërat shpirtërore dhe para se të na jepet jemi të paaftë të marrim pjesë në gjërat e mbretërisë. Tani jeta që hiri i jep shenjtorëve në çastin e ripërtëritjes së tyre nuk është gjë tjetër përveçse jeta e Krishtit, e cila, ashtu si limfa në kërcell, rrjedh brenda nesh, që jemi degët, duke vendosur një lidhje të gjallë midis shpirtrave tanë dhe Jezusit. Besimi është hiri që dallon këtë bashkim, duke qenë se ka dalë prej tij si fryti i tij i parë. Është qafa që bashkon trupin e kishës me Kokën e saj të lavdishme.
“Oh besim! ti lidhja e bashkimit me Zotin,
A nuk është kjo detyra jote?
A nuk je ti i përshtatshëm për këtë?
Në ekonominë e tipeve të ungjillit,
Dhe që simbolizon me të drejtë—qafën e kishës ;
Duke njëjtësuar vullnetin dhe veprën e saj
Me Atë që është ngritur lart?”
Besimi shtrëngon Zotin Jezus me një mbërthim të vendosur dhe të fortë. Ai e njeh shkëlqesinë dhe vlerën e Tij dhe asnjë tundim nuk mund ta shtyjë të mbështesë mirëbesimin e tij diku tjetër; dhe Krishti Jezus është kaq i kënaqur me këtë hir qiellor sa nuk pushon kurrë ta forcojë dhe ta mbështesë me përqafimin e Tij të dashur dhe përkrahjen e gjithëmjaftueshme të krahëve të Tij të përjetshëm. Këtu pra, është vendosur një bashkim i kënaqshëm, i ndjeshëm i gjallë që lëshon rrjedha dashurie, mirëbesimi, simpatie, kënaqësie dhe gëzimi ku si dhëndri ashtu dhe nusja dëshirojnë të pinë me ëndje. Kur shpirti mund të dallojë me qartësi këtë njëjtësi midis vetes dhe Krishtit, pulsi mund të ndjehet sikur po rreh për të dy dhe gjaku i njërit sikur po rrjedh përmes venave të secilit. Atëherë zemra është kaq afër qiellit sa mund të jetë e mundur ndërsa gjendemi në tokë dhe është e përgatitur për gëzimin e llojit më sublim të shoqërimit shpirtëror.
28 dhjetor-mbrëmje
“Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.”
{Mateu 10:34}
I krishteri me siguri që do të bëjë armiq. Një prej synimeve të tij do të jetë të mos bëjë asnjë armik, por nëse të bësh atë që është drejtë dhe të besosh atë që është e vërtetë do të shkaktonte humbjen e çdo miku në këtë botë, ai do ta llogariste këtë si një humbje të vogël përderisa Miku i tij i madh në qiell do të jetë akoma më miqësor dhe do t’i shfaqet më hirshëm se kurrë më përpara. O ju që mbani kryqin e tij, nuk e dini vallë se çfarë tha Mjeshtri juaj? “Unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.” Krishti është Paqebërësi i madh, por përpara paqes, Ai sjell luftën. Atje ku vjen drita, errësira duhet të zmbrapset. Atje ku është e vërteta, gënjeshtra duhet të largohet, ose, nëse mbetet, atëherë duhet të ketë një dyluftim të rreptë, sepse e vërteta nuk mund dhe nuk do të ulë standardet e saj dhe gënjeshtra duhet të shkelet me këmbë. Nëse ndiqni Krishtin, do të keni të gjithë qentë e botës duke angullitur mbrapa krahëve. Nëse do të jetoje në mënyrë të tillë sa ti bëje ballë gjykimit të fundit, ta dish se bota nuk do të flasë mirë për ty.
Ai që është mik i botës është armik i Perëndisë, por nëse je i vërtetë dhe besnik ndaj Shumëtëlartit, njerëzit do të kenë mëri besnikërinë tënde të patundur, përderisa është një dëshmi kundër shkeljeve të tyre. Pa pasur frikë prej asnjë pasoje, ti duhet të bësh atë që është e drejtë. Do të kesh nevojë për kurajën e luanit për të vazhduar pa dyshim një garë që do t’i kthejë miqtë e tu më të mirë në armiqtë e tu më të zjarrtë, por për hir të dashurisë së Jezusit duhet të jesh zemërfortë. Të rrezikosh emrin e mirë dhe dashamirësinë e njerëzve për hir të së vërtetës, është një vepër e tillë që për ta kryer vazhdimisht do të kesh nevojë për një masë parimi moral që vetëm Fryma e Perëndisë mund të jetësojë në ty; prapëseprapë mos shiko mbrapa si frikacak, por ji i fortë. Ndiq trimërisht hapat e Mjeshtrit tënd, sepse Ai e ka përshkuar këtë shteg të vrazhdë përpara teje. Më mirë një luftë e shkurtër dhe prehje e përjetshme se sa paqe e rreme dhe mundim i përjetshëm.
29 dhjetor-mëngjes
“Deri këtu Zoti na ka ndihmuar.”
{1 Samuelit 7:12}
Fjala “deri këtu” duket si një dorë duke treguar në drejtimin e së kaluarës. Njëzet vjet ose shtatëdhjetë dhe prapëseprapë, “deri këtu Zoti na ka ndihmuar!” Përmes varfërisë, përmes pasurisë, përmes sëmundjes, përmes shëndetit, në shtëpi, jashtë, në tokë, në det, në nder, në çnderim, në çoroditje, në gëzim, në sprovë, në triumf, në lutje, në tundim “deri këtu” Zoti na ka ndihmuar! Ne kënaqemi tek shikojmë një bulevard të gjatë me pemë anash. Është e këndshme të shikosh nga fillimi deri në fund rreshtin e gjatë, një lloj tempulli i blertë, me shtyllat e tij prej degësh dhe harqe gjethesh; po ashtu shiko mbrapa tek rrugica e gjatë e viteve të tua, tek degët e mëshirës sipër kokës dhe shtyllat e forta të dashamirësisë dhe besnikërisë që mbajnë gëzimet e tua. A nuk ka vallë mbi to degë, zogj që këndojnë?
Me siguri që duhet të ketë shumë dhe ato të gjithë këndojnë për mëshirë të marrë “deri këtu.” Por fjala gjithashtu tregon përpara. Sepse kur një njeri arrin deri në një farë pike dhe shkruan “deri këtu,” ai nuk është akoma në fund, ka akoma një largësi për t’u përshkuar. Më shumë sprova, më shumë gëzime; më shumë tundime, më shumë triumfe; më shumë lutje, më shumë përgjigje; më shumë punë të rënda, më shumë fuqi; më shumë luftime, më shumë fitore; dhe më pas vijnë sëmundja, mosha e thyer vdekja. A është fundi vallë tani? Jo! ka akoma, zgjimi në shëmbëlltyrën e Jezusit, fronet, harpat, kantikët, psalmet, rrobat e bardha, fytyra e Jezusit, shoqëria e shenjtorëve, lavdia e Perëndisë, plotësia e përjetësisë, pafundësia e lumnisë. Oh merr zemër besimtar dhe me një mirëbesim mirënjohës ngri lart “Eben-Ezerin” tënd, sepse—
Ai që të ka ndihmuar deri këtu
Do të ndihmojë gjatë gjithë udhëtimit tënd.
Nëse e lexon nën dritën e parajsës, çfarë perspektive të mrekullueshme dhe të lavdishme fjala “deri këtu” do të shpalosë para syve të tu mirënjohës!
29 dhjetor-mbrëmje
“Ç’u duket juve për Krishtin?”
{Mateu 22:42}
Prova e madhe e shëndetit të shpirtit tuaj është, ç`u duket juve për Krishtin? A është për ju “shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve “— që “dallon ndër dhjetë mijë veta” —“tërheqës në çdo pikëpamje”? Kudo që Krishti vlerësohet në mënyrë të tillë, të gjitha aftësitë e njeriut shpirtëror ushtrohen me energji. Do të gjykoj përshpirtshmërinë tënde me këtë barometër; Krishti qëndron lart apo poshtë për ty? Nëse ke menduar pak për Krishtin, nëse ke qenë i kënaqur të jetosh pa praninë e Tij, nëse je kujdesur pak për nderin e Tij, nëse ke neglizhuar ligjet e Tij, atëherë e di se shpirti yt është i sëmurë—Perëndia të dhëntë që të mos jetë i sëmurë për vdekje!
Por nëse mendimi i parë i frymës tënde ka qenë se si mund ta nderoj Jezusin, nëse dëshira e përditshme e shpirtit tënd ka qenë, “Oh sikur ta dija ku ta gjeja atë!” ju them se mund të kesh me mijëra dobësi dhe edhe sikur me zor të dije nëse je një fëmijë i Perëndisë apo jo,dhe prapëseprapë jam i bindur, përtej çdo dyshimi, se je i sigurtë, përderisa Jezusi është i madh në vlerësimin tënd. Nuk pyes për leckat e tua, çfarë mendon për veshjen e Tij mbretërore? Nuk pyes për plagët e tua, edhe sikur të rridhnin gjak me përrenj, çfarë mendon për plagët e tij? A janë ato si rubinë të ndritshëm në vlerësimin tënd? Nuk do të interesohesha më pak për ty, edhe sikur të shtriheshe si Llazari dhe qentë të lëpinin plagët—nuk të gjykoj me varfërinë tënde, çfarë mendon për Mbretin në bukurinë e Tij? A ka vallë Ai një fron të lartë të lavdishëm në zemrën tënde? A do ta vendosje vallë më lart nëse do të mundeshe? A do të dëshiroje të vdisje nëse do të mundeshe veçse të shtoje një trumbetë tjetër në melodinë që shpall lavdinë e Tij? Ah! atëherë je mirë. Çfarë do që mund të mendosh për vetveten, nëse Krishti është i madh për ty, ti do jesh me Të shpejt.
Sikur e gjithë bota të ngërdheshej me zgjedhjen time
Prapëseprapë Jezusi do të jetë risku im;
Sepse nuk gjej ëndje me asnjë përveç Tij
Më i hijshmi i të hijshmeve është Ai.
30 dhjetor-mëngjes
“Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.”
{Predikuesi 7:8}
Shiko Mjeshtrin dhe Zotin e Davidit; shiko fillimin e Tij. Ai u përçmua dhe u hodh poshtë prej njerëzve; një njeri i dhembjes dhe i mësuar me vuajtjen. A doni të shikoni fundin? Ai ulet në krahun e djathtë të Atit, duke pritur që armiqtë e Tij të bëhen stoli i tij. “Sikurse është Ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.” Ti duhet të mbash kryqin, ose përndryshe nuk do të mbash kurrë kurorën; ti duhet të ecësh përmes vështirësive, ose përndryshe nuk do të shkelësh kurrë kalldrëmin e artë. Gëzohu pra, i krishterë i gjorë. “Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.” Shiko atë krimb zvarritës, sa e përçmueshme pamja e tij! Është fillimi i një gjëje. Vëre atë insekt me krahë të mrekullueshëm, duke luajtur nën rrezet e diellit, duke qëndruar mbi lulet, plot me lumturi dhe jetë; ky është fundi.
Ajo vemje je ti, derisa të mbështillesh në nimfën e vdekjes, por kur Krishti do të shfaqet do të jesh si Ai, sepse do ta shikosh ashtu siç është. Jini të kënaqur të jeni si Ai, një krimb dhe si askushi, që si Ai të mund të kënaqeni kur të zgjoheni në shëmbëlltyrën e Tij. Ai diamant i papunuar është vënë në çarkun e gurgdhendësit. Ai e pret atë nga të gjitha anët. Humbet shumë—shumë prej asaj që dukej e çmueshme në vetvete. Mbreti kurorëzohet; diadema vendoset mbi kokën e monarkut me tingullin e gëzueshëm të trumbetës. Një rreze shkëlqyese ndrit nga ajo kurorë dhe shndrit prej atij diamanti që u pre aq shumë prej gurgdhendësit. Ju mund të guxoni ta krahasoni veten me atë diamant, sepse ju i përkisni popullit të Perëndisë; dhe kjo është koha e procesit të prerjes. Besimi dhe durimi le të kryejnë veprën e tyre të përkryer, sepse në ditën kur kurora do të vendoset mbi kokën e Mbretit, të Përjetshmit, të Pavdekshmit, të Padukshmit, një rreze lavdie do të dalë prej jush. “Ata do të jenë të mitë;” tha Zoti, “në ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë.” “Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj.”
30 dhjetor-mbrëmje
“Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim.”
{2 Samueli 2:26}
O lexuesi im! nëse je thjesht një i ashtuquajtur besimtar dhe jo një zotërues i besimit që është në Krishtin Jezus, rreshtat e mëposhtëm janë një përshkrim i vërtetë i fundit tënd. Ti je një pjesëmarrës i respektueshëm në vendin e adhurimit; shkon atje, sepse të tjerë shkojnë dhe jo sepse zemra jote është e drejtë para Perëndisë. Ky është fillimi yt. Ma merr mendja se gjatë njëzet ose tridhjetë viteve do të kursehesh që të vazhdosh ashtu si ecën tani duke shpallur fenë me një pjesëmarrje të jashtme në mjetet e hirit, por duke mos e bërë me zemër. Ki kujdes, sepse më duhet të të tregoj shtratin e vdekjes të një njeriu si ty.
Le të shikojmë këtë njeri me qetësi. Një djersë e lagësht është mbi ballin e tij dhe ai zgjohet duke thërritur, “Oh Perëndi, është e vështirë të vdesësh. A dërgove dikë për të kërkuar pastorin tim?” Po, ai po vjen. Pastori vjen. “Zotëri, kam frikë se po vdes!” “A ke ndonjë shpresë?” “Nuk mund të them se kam ndonjë. Druaj të qëndroj përpara Perëndisë; oh! lutu për mua.” Lutja bëhet për të me një këmbëngulje të sinqertë dhe udha e shpëtimit i vihet përpara për të dhjetëmijtën herë, por e shikoj teksa zhytet përpara se të ketë kapur litarin. Mund të vë gishtin tim mbi ato qepalla të ftohta, sepse ato nuk do të shikojnë kurrë më ndonjë gjë këtu poshtë. Por ku është njeriu dhe ku janë sytë e vërtetë të njeriut? Është e shkruar, “duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë.” Ah! pse nuk i çoi sytë më përpara? Sepse ishte kaq shumë i mësuar të dëgjonte ungjillin sa shpirtit të tij i vinte për gjumë. Sa keq! nëse do të hapje sytë e tu atje, sa të hidhura do të jenë ngashërimet e tua. Vetë fjalët e Shpëtimtarit të zbulojnë tmerrin: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.” Ka një kuptim të frikshëm në këto fjalë. Mos i shqiptofshit kurrë për shkak të zemërimit të të Përjetshmit!
31 dhjetor-mëngjes
“Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.”
{Gjoni 7 :37}
Durimi bëri veprën e tij në mënyrë të përkryer në Zotin Jezus dhe deri në ditën e fundit të festës Ai ndërmjetësoi për hebrenjtë, po ashtu si në këtë ditë të fundit të vitit Ai ndërmjetëson për ne dhe pret që të jetë i hirshëm kundrejt nesh. E admirueshme me të vërtetë është vuajtja e gjatë e Shpëtimtarit duke na duruar disa nga ne vit mbas viti, pavarësisht provokimeve tona, rebelimeve dhe rezistencës kundrejt Frymës së Shenjtë. Çudi e çudirave që jemi akoma në tokën e mëshirës!
Mëshira e shprehu veten e saj mjaft qartë, sepse Jezusi thirri, që nënkupton jo vetëm zërin e Tij të lartë, por butësinë e toneve të Tij. Ai na përgjërohet të jemi të pajtuar. “Ne ju përgjërohemi,” thotë apostulli, “sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh.” Çfarë fjalësh këmbëngulëse, prekëse janë këto! Sa e thellë duhet të jetë dashuria që e bën Zotin të qajë për mëkatarët, ashtu si një nënë merr me të mirë fëmijën e saj në gjirin e saj! Me siguri që zemrat tona vullnetmirë do të afrohen mbas kësaj thirrjeje.
Furnizimi është i plotë; çdo gjë është e dhënë që një njeri të shuajë etjen e shpirtit të tij. Ndërgjegjes së tij shlyerja i sjell paqe; kuptimit të tij ungjilli i sjell mësimin më të pasur; për zemrën e tij personi i Jezusit është objekti më fisnik i ndjenjave; tërë njeriut e vërteta ashtu siç është në Jezus i furnizon ushqimin më të pastër. Etja është e tmerrshme, por Jezusi mund ta kënaqë atë. Edhe sikur shpirti të ishte tërësisht i tharë Jezusi do të mundte ta ripërtërinte.
Shpallja është bërë për këdo, çdo i etur është i mirëpritur. Asnjë dallim tjetër nuk është bërë përveç atij të etjes. Qoftë kjo etja e koprracisë, ambicies, kënaqësisë, dijes, ose prehjes, ai që vuan prej saj është i ftuar. Etja mund të jetë e keqe në vetvete dhe mund të mos jetë një shenjë hiri, por më shumë një shenjë e një mëkati të papërmbajtur duke dëshiruar me zjarr të kënaqet me gllënjka më të thella epshi, por nuk është se njeriu është i mirë që ai merr ftesën; Zoti Jezus e dërgon falas, pa dallim njerëzish.
Individualiteti i ftesës është i shfaqur plotësisht. Mëkatari duhet të vijë te Jezusi, jo te veprat, ritet, ose doktrinat, por te një Shpëtimtar personal, që mbajti mëkatet tona në trupin e tij mbi dru. Shpëtimtari i gjakosur, duke vdekur dhe i ngritur lart është i vetmi yll shprese për një mëkatar. Oh paç hir të vish tani dhe të pish përpara se dielli të Perëndojë në ditën e fundit të vitit!
Asnjë pritje ose përgatitje nuk nënkuptohet këtu. Të pish përfaqëson diçka për të cilën asnjë aftësi nuk kërkohet. Një i çmendur, një vjedhës, një prostitutë mund të pijë; dhe një karakter kaq i fëlliqur nuk është pengesë për ftesën e të besuarit në Jezus. Ne nuk duam kupë të artë, ose të zbukuruar me xhevahire, me të cilën t’i japim ujin të eturve; goja e varfërisë është e mirëpritur të ulet poshtë dhe të rrëkëllejë ujërat rrjedhëse. Buzët e mbufatura, lebrose e të fëlliqura mund të prekin rrymën e dashurisë hyjnore; ato nuk mund ta ndotin atë, por ato vetë do të pastrohen. Jezusi është burimi i shpresës. Lexues i dashur, dëgjo zërin e dashur e të shtrenjtë të Shpëtimtarit teksa na thërret,
PO TE KETË ETJE NJERI, LE TË VIJË TEK UNË DHE TË PIJË.
31 dhjetor-mbrëmje
“Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.”
{Jeremia 8 :20}
Nuk jemi shpëtuar! Lexues i dashur, a është kjo barra jote pikëlluese? I lajmëruar për gjykimin e ardhshëm, i nxitur të shpëtosh jetën tënde dhe prapëseprapë në këtë çast nuk je shpëtuar! Ti e njeh udhën e shpëtimit, e lexon në Bibël, e dëgjon prej predikatores, të shpjegohet prej miqve dhe prapëseprapë e lë pas dore dhe prandaj nuk je i shpëtuar. Do të jesh pa justifikim kur Zoti do të gjykojë të vdekurin dhe të gjallin. Fryma e Shenjtë i ka dhënë herë pas herë bekim fjalës që të është predikuar dhe kohë freskimi kanë ardhur prej pranisë hyjnore dhe prapëseprapë je pa Krishtin. Të gjitha këto periudha shpresëdhënëse kanë ardhur dhe kanë shkuar—vera dhe korrja jote kanë kaluar—dhe prapëseprapë je i pashpëtuar. Vitet kanë ndjekur njeri tjetrin në përjetësi dhe viti yt i fundit do të mbërrijë së shpejti; rinia ka kaluar, mosha e pjekur po kalon dhe prapëseprapë nuk je i shpëtuar. Me lejo të të pyes—kur do të shpëtohesh vallë? A është vallë kjo e mundur? Tashmë periudhat më të volitshme të kanë lënë të pashpëtuar; a do të ndryshonin vallë gjendjen tënde raste të tjera?
Mjetet kanë dështuar me ty—mjetet më të mira, të përdorur me këmbëngulje dhe me dashurinë më të madhe—çfarë mund të bëhet më tepër për ty? Pikëllimi dhe bollëku, që të dyja dështuan për të lënë mbresa; lotët dhe lutjet dhe predikimet kanë humbur kot në zemrën tënde djerrë. A ka vallë akoma ndonjë mundësi që të shpëtohesh? A nuk është më e mundshme se do të mbesësh ashtu siç je derisa vdekja përherë do të mbyllë derën e shpresës? A tutesh prej këtij hamendësimi? Prapëseprapë është një hamendësim tepër i arsyeshëm; ai që nuk është i larë në kaq shumë ujëra, me shumë mundësi do të shkojë i fëlliqur drejt fundit të tij. Koha e duhur nuk ka ardhur akoma, pse duhet të vijë vallë? Është e logjikshme të druash se nuk do të vijë kurrë dhe se po ashtu si Feliksi, nuk do të gjesh periudhë të volitshme derisa të shkosh në ferr. Oh, mendo se çfarë është ferri dhe mendo për mundësinë e tmerrshme se shpejt do të hidhesh aty brenda!
Lexues, merr me mend sikur të vdisje i pashpëtuar, asnjë fjalë nuk do të mund ta përshkruante gjykimin tënd. Risku jot do të jetë lot dhe gjak, ngashërim dhe kërcëllitje dhëmbësh; do të dënohesh me një shkatërrim të përjetshëm prej lavdisë së Zotit dhe prej lavdisë së pushtetit të Tij. Zëri i një vëllai me gjithë zemër do të donte të të zgjonte nga gjumi. Oh, ji i urtë, ji i urtë në kohën e duhur dhe përpara se një vit tjetër të fillojë, beso në Jezusin që është i aftë të shpëtojë plotësisht. Këto orët e fundit vër mënjanë një kohë të qetë me Zotin dhe nëse një pendesë e thellë ushqehet brenda teje, do të jetë mirë; dhe nëse të udhëheq në një besim të përulur në Jezusin do të jetë më mirë se gjithçka. O shiko se mos ky vit të mos kalojë dhe ti të jesh akoma një frymë e pafalur. Mos lejo që kambanat e mesnatës së vitit të ri të tingëllojnë në një frymë pa gëzim! TANI,TANI,TANI beso dhe jeto.
IK SHPEJT PËR TË SHPËTUAR JETËN TËNDE!
MOS SHIKO PRAPA
E MOS U NDAL NË ASNJË VEND TË FUSHËS
SHPËTO NË MAL QË TË MOS VDESËSH!