Domosdoshmëria e rritjes së besimit
Në Kishën e Rrugës Njupark
1 gusht 1885
Predikimi nr. 32
Nga Charles Spurgeon
“Atëherë apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin.” Lluka 17:5
ME TË VËRTETË NËSE APOSTULLI e tha këtë; të gjithë ne e kemi të nevojshme të bëjmë të njëjtën lutje. Nëse të dymbëdhjetët më të fuqishëm në ushtrinë e Zotit të ushtrive patën nevojë për një përgjërim të tillë, çfarë do të themi ne që nuk jemi veçse ushtarë të thjeshtë—shenjtorët më të dobët? Nëse shpreson të ngadhënjesh çdo ditë, a nuk është me vend që të lutemi, “na shto besimin?”
Është çështje diskutimi përsa i përket rastit kur këto fjalë u shqiptuan. Disa thonë se duhet të shikojmë tek lidhja logjike e kapitullit për shpjegimin. Jezu Krishti pati mësuar dishepujt e Tij se nëse vëllai i tyre do të mëkatonte kundër atyre shtatë herë në ditë, dhe shtatë herë të kthehej dhe të thoshte pendohem, ata duhet ta falnin dhe kjo e shtrëngoi apostullin të thotë “na shto besimin.” Ata e përfytyruan kaq detyrë të vështirë të falje pa pushim aq sa u ndjenë të paaftë ta përmbushin pa një shtim të madh të besimit. Të tjerë mendojnë—me shumë mundësi me vërtetësi më të madhe—se lutja u ofrua kur apostujt u përpoqën të nxjerrin jashtë frymët e liga nga demoniaku i gjorë dhe dështuan në përpjekjen e tyre. “Dhe ata i thanë Jezusit, përse ne nuk mundëm ta dëbojmë? Dhe Zoti tha, po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t`i thonit këtij mani: “Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det”, dhe ai do t`ju bindej.” Më pas ata i thanë Zotit; “na e shto besimin.” Prapëseprapë, çfarëdo të ketë qenë rasti në këtë kërkesë të veçantë, ne do të gjejmë përherë arsye për të paraqitur lutjen dhe ndoshta mëngjes mund të jetë një kohë kur secili nga ne mund të ketë një nevojë të veçantë për t’ia parashtruar Perëndisë.
“Na e shto besimin.” Duke filluar menjëherë në këtë temë, gjëja e parë që do të marrim në konsideratë është objekti i përkujdesjes së tyre. Ishte “besimi” i tyre. Së dyti, dëshira e zemrave të tyre-–“na e shto besimin.” Dhe më pas, së treti personin ku ata besuan për t’i shtuar besimin—“Ata i thanë Zotit, na e shto besimin.”
I. Së pari pra, OBJEKTI I PËRKUJDESJES SË TYRE ISHTE BESIMI I TYRE. Besimi është i rëndësisë më të madhe për të krishterin. Nuk ka gjë tjetër për të cilën duhet të kemi më shumë dhe më tepër kujdes të zellshëm se sa besimi ynë. Do të përpiqem t’ju tregoj këtë prej shtatë ose tetë arsyeve dhe Perëndia i ngjeshtë në zemrat tuaja dhe qëlloftë në shënjestër në mënyrë të tillë sa që secili nga ne të mund të bëhet thellësisht i merakosur nëse zotërojmë apo jo një besim të gjallë të vërtetë që na bashkon me Qengjin dhe na sjell shpëtimin e shpirtrave tanë.
1. Ne duhet miqtë e mi, të jemi tejet të kujdesshëm për besimin tonë—për drejtësinë e tij dhe për forcën e tij, Së pari: kur konsiderojmë pozicionin që besimi zë në shpëtim. Besimi është hiri shpëtimtar. Ne nuk jemi të shpëtuar prej dashurisë, por jemi të shpëtuar me anë të hirit dhe jemi të shpëtuar nëpërmjet besimit. Ne nuk jemi të shpëtuar prej kurajës, ne nuk jemi të shpëtuar prej durimit, por jemi të shpëtuar prej besimit. Domethënë, Perëndia i jep shpëtimin besimit dhe asnjë virtyti tjetër. Nuk është e shkruar askund—ai që do, do të shpëtohet. Nuk është e shënuar askund—se një mëkatar i duruar do të shpëtohet. Por është e thënë, “Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar.” Besimi është pjesa jetësore e shpëtimit. Nëse një njeriu i mungon besimi atij i mungon gjithçka. “Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë.” Nëse një njeri ka besim të vërtetë—sado pak që të ketë prej çdo virtyti tjetër—ai njeri është i sigurt. Por ta marrim me mend së është e mundur për një njeri të zotërojë çdo virtyt në këtë botë, le të jetë po aq i krishterë në dukjen e tij sa edhe Apostulli Pal dora vetë; le të jetë po aq i zellshëm sa një serafin; le të jetë po aq i kujdesshëm në shërbimin e të zotit të tij sa ju do të mund të përfytyronit për një engjëll lart, prapëseprapë “Pa besim”—kështu shpall Fjala e Perëndisë—“është e pamundur ti pëlqesh Perëndisë.” Besimi është hiri shpëtues—është ura lidhëse midis shpirtit dhe Krishtit. Hiqe atë dhe çdo gjë mbaron. Lëvize nga vendi besimin, ke sharruar shkoklën e anijes dhe ajo do të zhytet. Hiqe besimin dhe jeta e krishterë bëhet një mosqenie: është e fikur menjëherë, sepse “i drejti do të jetojë me anë të besimit:” dhe pa besimin si vallë ata do të mund të jetonin sadopak? Merr në konsideratë pra, se përderisa besimi është kaq i rëndësishëm në shpëtim, na përket secilit prej nesh të hulumtojmë më me zell nëse e kemi besimin apo jo? Oh, vëllezërit e mi, ka qindra shtirje në botë—mijëra imitime të besimit, por ka vetëm një besim shpëtimtar jetësor të vërtetë. Ka me shumicë besime teorike—një besim që përputhet me mbajtjen e një kredoje të shëndoshë, një besim që i shtrëngon njerëzit të besojnë një gënjeshtër, duke i mbështjellur me bindjet e sigurisë së tyre, ndërkohë që ata janë akoma në vrerin e hidhërimit dhe në prangat e paudhësisë, një besim që do të thotë t’i besosh me mburrje vetvetes. Ka me shumicë besime fallto, por ka vetëm një të vërtetë. Oh! meqë doni të shpëtoheni më në fund; meqë ju nuk do të donit të ishit të vetë-mashtruar dhe të shkonit duke marshuar drejt mallkimit me sytë tuaja të mbyllur, merreni besimin tuaj në duar këtë mëngjes dhe shikoni nëse është monedhë stërline e vërtetë. Ne duhet të jemi më të kujdesshëm për besimin tonë se për çdo gjë tjetër. E vërtetë, ne duhet të shqyrtojmë sjelljen tonë, ne duhet të këqyrim veprat tona; ne duhet të provojmë dashurinë tonë, por mbi të gjitha, besimin tonë, sepse nëse besimi është i gabuar gjithçka është e gabuar; nëse besimi është i drejtë, ne mund ta marrim atë si gurin e qoshes së sinqeritetit tonë. “Kush beson në Birin e Perëndisë ka jetë të përjetshme.”
2. Së dyti:—trego kujdes për besimin tënd, sepse të gjitha hiret e tua varen prej tij. Besimi është hiri rrënjë: të gjitha virtytet dhe hiret e tjera çelin prej tij, më fol për dashurinë; si mund ta dua atë të cilit nuk i besoj. Nëse nuk kam besim se ka Perëndi dhe se Ai është shpërblenjësi i të gjithë atyre që e kërkojnë me zell, si mund të jetë e mundur që ta dua Atë? Më fol për durimin: si mund të ushtroj durim po të mos kem besim? Sepse besimi shikon te përfitimi i shpërblimit: ai thotë se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën tonë,” ai beson se prej trishtimeve tona një lavdi më e madhe do të rrjedhë dhe prandaj ai mund të durojë. Më fol për kurajën, por kush mund të ketë kurajë nëse nuk ka besim? Merr çdo virtyt që do dhe do të shikoni se ai varet prej besimit. Besimi është peri i agjendë ku perlat e hireve vistrohen. Këpute atë dhe ke thyer vargun—perlat do të shpërndahen në tokë dhe as që nuk mund t’i përdorësh si stoli. Besimi është nëna e virtyteve. Besimi është zjarri që konsumon sakrificën. Besimi është uji që ushqen rrënjën. Besimi është limfa që i jep gjallëri të gjithë degëve. Nëse nuk ke besimin, të gjitha hiret e tua do të vdesin. Dhe në përpjesëtim të rritjes së besimit tënd po ashtu me virtytet e tua, jo të gjitha në të njëjtën përmasë, por të gjitha në një farë shkalle. Njeriu i besimit të vogël është njeriu i dashurisë së vogël. Njeriu i besimit të madh është njeriu i zemërdhembshurisë së madhe. Ai që ka besim të madh në Perëndinë mund të japë vetveten për të vdekur për Perëndinë, por ai që ka besim të vogël në Të do të tkurrej në shtyllën e turrës së druve, sepse dashuria e tij do të ishte e dobët. Përkujdesuni për besimin tuaj, sepse është mbi atë që virtyti juaj varet; dhe nëse do të kultivonit gjëra që janë të përshpirtshme, “gjëra që janë të dashura dhe gjëra që janë me famë të mirë” gjëra që ju nderojnë dhe të pëlqyeshme nga Perëndia, ruani mirë besimin tuaj, sepse mbi besimin tuaj të gjitha gjërat duhet të qëndrojnë.
3. Së treti:—Përkujdesu për besimin tënd, sepse Krishti i jep shumë rëndësi atij. Ka tre gjëra në Dhiatën e Re që quhen të çmuara:—Një nga ato, ti e di, është gjaku i çmuar i Krishtit; një tjetër është premtimet tepër të mëdha dhe të çmuara dhe besimi ka nderin të jetë gjëja e tretë e çmuar—“atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne.” Kështu që besimi është një nga tre gjërat e çmueshme të Perëndisë, është një nga gjërat që Ai vlerëson mbi gjithë të tjerat. Mbeta i habitur dje, kur hasa një ide të një fetari të vjetër, në lidhje me nderin që Perëndia i jep besimit: ai thotë, “Krishti e heq kurorën nga koka e Tij për ta vendosur mbi kokën e besimit.” Vini re sa shpesh Ai thotë, “Besimi yt të shpëtoi.” Në fakt, nuk është besimi që shpëton, është Krishti që shpëton. “Besimi yt të ka shëruar,” thotë Krishti. Në fakt, nuk ishte besimi që shëroi, ishte Krishti që shëroi, por Krishti e ç’kurorëzoi në fakt vetveten për të kurorëzuar besimin. Ai mori diademën mbretërore të shpëtimit prej vetë kokës së Tij dhe e vendosi mbi ballin e besimit dhe kështu Ai e bëri besimin “Mbreti i Mbretërve”—sepse mban kurorën që vetëm Mbreti i Mbretërve mund ta mbajë—“kurorën e shpëtimit.” A nuk e dini vallë se ne lexojmë, “Ne jemi të drejtësuar me anë të besimit.” Tani, në një farë kuptim ky nuk është thelbi, sepse thelbi i drejtësimit është drejtësia e e Jezu Krishtit që na është numëruar neve. Ne jemi të drejtësuar prej Krishtit, por Krishti e vesh besimin me vetë teshat e Tij mbretërore dhe e bën atë me të vërtetë të ndritur. Jezu Krishti e ul përherë besimin në stolin e nderit. Kur ajo grua e gjorë, vajza e së cilës ishte e sëmurë, erdhi: Ai tha, “O grua, i madh është besimi yt!” Ai mund të kishte thënë, “Grua, e madhe është dashuria jote” sepse ishte dashuria e madhe që e bëri atë të çante përmes turmës dhe të fliste në emër të vajzës së saj, ose, “I madh është durimi yt,” sepse kur Ai e thirri atë “këlysh qeni”, ajo përsëri nuk ju nda dhe nuk donte të largohej ose Ai mund të kishte thënë, “E madhe është kuraja jote,” sepse ajo tha, “mirëpo edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet.” Ose Ai mund të kishte thënë, “E madhe është urtësia jote,” sepse ajo ishte një grua e urtë dhe dinte si të nxirrte të ëmblën nga hidhërimet dhe tha, “Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet.” Por Ai nuk i jep rëndësi të gjitha këtyre dhe thotë, “I madh është besimi yt.” Mirë pra, nëse Krishti i jep kaq rëndësi besimit a nuk duhet ta vlerësojmë edhe ne si gjënë më të çmuar. A është e mundur t’i japim më tepër rëndësi sa ç’duhet atij guri të çmuar që Krishti e konsideron si më me vlerë se çdo gjë tjetër? Nëse Ai e vë besimin në ballë të fasadës së virtytit dhe nëse Ai e shikon atë si gurin e çmuar më të përzgjedhurin në kurorën e të krishterit, oh! a nuk do të na zgjonte ne ky fakt për të shqyrtuar veten nëse e kemi apo jo? Sepse nëse e kemi ne jemi të pasur—të pasur në besim dhe në premtime, por nëse nuk e zotërojmë, çfarëdo që të kemi, ne jemi të varfër—të varfër në këtë botë dhe të varfër në atë të ardhshmen.
4. Më pas, i krishterë, kujdesu mirë për besimin tënd, sepse sill në mendje se besimi është udha e vetme me anë të të cilit ti mund të përfitosh bekimet. Nëse në duam bekime prej Perëndisë, asgjë nuk mund t’i sjellë poshtë përveç besimit. Lutja nuk mund të tërheqë poshtë përgjigje prej fronit të Perëndisë përveçse kur është lutja e zellshme e njeriut që beson. Besimi është shkalla mbi të cilin shpirti im duhet të ecë për t’u ngjitur në qiell. Nëse e thyej atë shkallë si mund t’i afrohem ndonjëherë Perëndisë tim? Besimi është korrieri engjëllor midis shpirtit dhe qiellit. Le të tërhiqet mbrapa ai engjëll dhe unë nuk mund të dërgoj lutje lart as të marr përgjigje poshtë. Besimi është telegrafi që lidh tokën me qiellin—në të cilin bekimet e Perëndisë lëvizin aq shpejt sa përpara se ne thërrasim Ai përgjigjet dhe ndërsa jemi duke folur, Ai na dëgjon. Por nëse teli i telegrafit këputet, si mund ta marrim premtimin? A jam në hall: mund të marr ndihmë për telashin ku gjendem me anë të besimit. A jam i lëkundur majtas djathtas prej armikut: shpirti im në atë strehë të shtrenjtë mbështetet me anë të besimit. Por, largoje besimin—më kot i thërras Perëndisë. Nuk ka rrugë midis shpirtit tim dhe qiellit. Në periudhën dimërore më të ashpër besimi është një rrugë mbi të cilën kuajt e lutjes mund të udhëtojnë—posi, dhe aq më mirë për ngricën therëse. Por bllokoje rrugën dhe si do të mund të komunikonim me Mbretin tonë të madh? Besimi më lidh më hyjnoren. Besimi më vesh me teshat e perëndishmërisë. Besimi hedh në anën time plotfuqishmërinë e të Përjetshmit. Besimi më jep fuqinë e Perëndisë, sepse e siguron atë fuqi për mua. Më bën që të sfidoj rrëmetin e ferrit. Më bën që të marshoj triumfues mbi zverkun e armiqve të mi. Por pa besim si mund të marr ndonjë gjë prej Zotit? Ai që lëkundet—që është si një valë deti—le të mos pandehë se do të marrë diçka nga Perëndia! Oh, atëherë, i krishterë ruaje mirë besimin tënd, sepse me të ti mund të fitosh të gjitha gjërat, sado i varfër të jesh, por pa të, ti nuk mund të fitosh asgjë. Thuhet për Midan se ai pati fuqinë të kthente gjithçka në ar me prekjen e dorës së tij; dhe kjo është e vërtetë për besimin—ai mund të kthejë gjithçka në ar, por shkatërro besimin dhe atëherë kemi humbur gjithçkanë tonë; ne jemi mjerisht të varfër, sepse nuk mund të mbajmë shoqërim me Atin dhe me Birin e tij Jezu Krisht.
5. Më pas, miqtë e mi, përkujdesuni përherë për besimin tuaj për shkak të armiqve tuaj, sepse nëse nuk do të keni nevojë për besimin kur jeni me miq, ju do ta kërkoni atë kur keni për të përballuar armiqtë tuaj. Ai i miri luftëtar i vjetër, Pali, një herë udhëhoqi Efezianët te Armëtorja dhe pasi i pati treguar këpucët që duhet të mbathnin, brezin, parzmoren, helmetën dhe shpatën, ai tha në mënyrë solemne, “Mbi të gjitha merrni mburojën e besimit.” Edhe sikur të harronit helmetën, sigurohuni për mburojën, sepse nëse helmeta jote është e hequr ti mund të presësh gjithsesi një goditje me mburojën duke mbrojtur kështu kokën tënde. Do të ishte mirë sikur të mbathni “gatishmërinë e ungjillit të paqes” dhe të vishni “parzmoren e drejtësisë,” por nëse nuk i keni, kini kujdes që të keni “mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.” Mirë tani, besimi e bën një njeri shumë të fuqishëm kur ai përballet me armiq. Nëse një njeri beson se ka të drejtë, vetëm duke e kuptuar këtë në një pikëpamje të natyrës njerëzore—silleni atë njeri përpara princave dhe mbretërve, për hir të të vërtetës, ai do të jetë si një luan i vërtetë! Ai do të thotë, “Nuk mund të dorëzohem, nuk duhet, sepse kam të vërtetën në anën time.” Posi, edhe pse të tjerët mund ta quajnë atë kryeneçësi kokëfortë, është një fisnikëri shpirti që shtrëngon një njeri të deklarojë, “Nuk do të lëshoj pe.” Shumë më i fortë është besimi i vërtetë shpirtëror; ai e ka çuar besimtarin në turrën e druve dhe e ka mundësuar atë të këndojë kur flakët e kanë rrethuar. Ka udhëhequr një tjetër në det dhe ashtu si ai për të cilin ne lexojmë në martirologjitë e vjetra, ka ndihmuar madje edhe gruan e moshuar të thërrasë, “Krishti është akoma gjithçka.” Besimi ka shuar furinë e flakëve, ka mbyllur gojën e luanëve dhe nga të dobët na ka bërë të fortë. Ka mposhtur më shumë armiq se e gjithë mizëria e pushtuesve. Mos më flit për fitoret e Uellingtonit; mos më përmend betejat e Napolonit; më thuaj se çfarë ka bërë besimi! Oh! sikur të ngrinim një monument në nder të besimit, çfarë shumëllojshmëri emrash do të kishim gdhendur mbi piedestalin e fuqishëm! Ne do të skalitnim, këtu “strofull e luanit,” atje, “Beteja e leopardëve;” ose këtu, do të kishim shënuar se si besimi ndau në mes Detin e Kuq; dhe atje, se si besimi shtypi Madianitët; dhe atje se si Jaeli vrau Siserën me anë të besimit. Çfarë betejash besimi do të kishim skalitur! O, besim! flamuri yt do të valëvitet lart! Shqyti jot është më i lavdishmi! I madh je dhe plot me fitore! Me ty, o besim, sfidoj në dyluftim botën, i sigurt për fitoren. Edhe sikur të luftoja kundër një fëmije, por pa besim—ashtu si Pjetri i gjorë përpara shërbyeses së vogël, do të dridhesha dhe do të mohoja Zotin tim. Por po ai Pjetër, me besim, nuk ka frikë të qëndrojë përpara një sinedri të vrenjtur; për të folur për Zotin e tij midis përqeshjeve të priftërinjve të lartë. Maria, Mbretëresha e Skocezëve, tha “se kishte më shumë frikë nga lutjet dhe besimi i Xhon Noksit se sa nga një ushtri prej dhjetë mijë burrash,” dhe një armik i ndjeshëm bën mirë të dridhet kur të tillë të pathyeshëm janë në luftë me të. Nuk do të doja të kisha një njeri të besimit që më kundërshton. Më thuaj se bota më urren dhe do të gëzohesha prej kësaj, por më thuaj se një njeri i besimit ka vendosur të më shtypë dhe atëherë do të dridhesha, sepse ka pushtet në krahun e atij njeriu; goditjet e tij godasin fort dhe kur ai godet me të vërtetë, ai godet ashtu siç duhet, si me një shufër hekuri. Dridhuni, ju armiqtë e Perëndisë, sepse besimi duhet të ngadhënjejë. Dhe o ju shërbëtorë të Perëndisë të gjallë, ruajeni mirë besimin tuaj, sepse me besimin ju do të jeni fitimtar; dhe do të qëndroni si shkëmbinj, të palëvizur midis tufaneve, të patundur prej stuhive të përndjekjes.
6. Dhe tani një arsye e gjashtë. Përkujdesuni për besimin tuaj, sepse përndryshe ju nuk mund ta kryeni mirë detyrën tuaj. Besimi është këmba e shpirtit me anë të të cilës ai mund të ecë përgjatë rrugës së urdhërimeve. Dashuria mund ta bëjë këmbën të lëvizë më shpejt, por besimi është këmba që mban shpirtin. Besimi është vaji që mundëson rrotat e përkushtimit të shenjtë dhe të zellit këmbëngulës të lëvizin mirë, por pa besim rrotat hiqen prej qerres dhe ne zvarritemi rëndë rëndë. Me besimin unë mund të bëj të gjitha gjërat; pa besimin unë nuk do të kem as prirjen as pushtetin të bëj ndonjë gjë në shërbimin e Perëndisë. Nëse do të kërkonit njerëzit që i shërbejnë Perëndisë më mirë, ju do të zbulonit njerëzit më me tepër besim. Besimi i vogël do të shpëtojë një njeri, por një besim i vogël nuk mund të bëjë gjëra të mëdha. Besimpaku i gjorë nuk mundi dot të luftonte kundër “Apolonit.” Jo, duhej “Krishteri” për ta bërë këtë gjë. Besimpaku i gjorë nuk mund ta vriste dot “Dëshpërimin gjigant;” duhej krahu i “Zemërluanit” për ta rrëzuar poshtë atë përbindësh. Besimpaku mund të shkojë në qiell me shumë siguri, por atij i duhet shpesh të vrapojë dhe të fshihet në një guaskë për të humbur gjithçka veç gurin e tij të çmuar. Nëse ka beteja të mëdha dhe vepra të mëdha për t’u kryer duhet të ketë besim të madh. Siguria mund të mbajë male mbi kurrizin e saj; besimpaku pengohet prej një grumbulli të vogël dheu. Besimmadhi, ashtu si Behemoti, mund ta thithë Jordanin me një gllënjkë: besimpaku mbytet në një pikë uji; ai fillon e mendon të zmbrapset para edhe më të voglit telash. Besimmadhi mund të ndërtojë tempuj; ai mund të ngre lart kështjella; ai mund të predikojë ungjillin; ai mund të shpallë emrin e Krishtit përpara armiqve; ai mund të bëjë çdo gjë; dhe nëse do të donit të ishit të mëdhenj dhe t’i shërbenit shumë Mjeshtrit tuaj, ashtu siç besoj se do të donit, ju do të kërkoni rritjen e besimit! sepse duke bërë kështu ju do të jeni më të zellshëm në detyrë. O ju të krishterë veprues, jini plot me besim! ju të krishterë të zënë, sigurohuni që ta ruani besimin, përndryshe po ta linit pas dore, çfarë do të ndodhte vallë më pas? Si mësues të shkollës të së Dielës, si predikues, si vizitorë të të sëmurit, ose çfarëdo që ju keni për të bërë, kujdesuni fort që besimi të jetë forca juaj dhe siguria juaj. Nëse dështoni në këtë gjë, çfarë do të mbeste vallë për ju?
Përsëri: përkujdesuni për besimin tuaj, sepse vetëm besimi mund t’ju ngushëllojë në telashet tuaja. Po, thonë disa, për këtë mendojmë gjithmonë, për dobitë e besimit për të na ngushëlluar në telashet tona. Tani unë nuk pëlqej asnjëherë të qesh me njerëzit e Perëndisë ngaqë ata dëshirojnë lehtësim. Besoj se kjo është një provë e madhe se ata janë fëmijë të Perëndisë ngaqë pëlqejnë gjëra të ëmbla. Nëse jo, atëherë do të kisha frikë për ata se nuk janë fëmijë të Perëndisë aspak. Por dëgjoj pastorët tek thonë, “Ah, ju gjithmonë jeni duke thënë se doni lehtësim, se doni ngushëllim.” Po, me siguri, them se po, e duan; dhe ata i kërkojnë këto gjëra, ngaqë kurrë nuk i morën prej teje zotëri! Besoj se njerëzit e Perëndisë kanë nevojë me të vërtetë për lehtësim, edhe pse, është e vërtetë se ndonjëherë e kërkojnë me tepri. Mirëpo shpesh ata kërkojnë përmbushjen e premtimit dhe e kërkojnë me ngulm. Tani, besimi është pija tonike më e mirë për shpirtin. Oh, sa shumë besimi do ta kuptojë një premtim kur afrohet një telash i madh! “Ah!” thotë besimi, “Perëndia thotë, “forca jote do të vazhdojë sa janë ditët e tua.” “Ah!” thotë besimi,” është një shteg i ashpër; gjembat janë të mprehtë; stralli është i shpërndarë në të, por atëherë “sandalet e tua do të jenë prej hekuri dhe prej bronzi,” dhe besimi shikon sandalet e vjetra dhe të forta dhe thotë, “do të guxoj” dhe niset menjëherë. Besimpaku ulet duke murmuritur në një cep; besimmadhi është duke kënduar në zjarr. “Ata do ta lavdërojnë Atë me zë të lartë në shtretërit e tyre, ata do të këndojnë lavdinë e Tij të madhe në mes zjarrit.” Besimvogli qëndron zemërlëshuar, duke përzier lotët e tij me ujërat. Besimmadhi thotë, “Kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.” A do të donit të ishit më të ngushëlluar dhe më të lumtur? A do të donit të gjenit kënaqësi në fe? A do të donit të kishit fenë e haresë dhe jo të zymtësisë? Atëherë kërkoni më tepër besim. Ju do të shpëtoheshit edhe me një besim të vogël, por ju nuk do të shpëtoheshit lumturisht. Ju do të jeni të lumtur në parajsë nëse do të besonit edhe në shkallën më të vogël, por nuk do të jeni të lumtur këtu poshtë nëse nuk besoni plotësisht, vazhdimisht dhe me zell—nëse nuk besoni fort në premtimet besnike të Jehovait, në gjithë dinjitetin e lavdishëm të personit të Tij dhe në gjithë besnikërinë dhe pandryshueshmërinë e hirit të Tij. Nëse do të donit të ishit lauresha të krishterë dhe jo bufa të krishterë, kërkoni të keni më shumë besim. Nëse e doni errësirën dhe doni të bridhni aty në zymtësi dhe mjerim, atëherë jini të kënaqur me besim të vogël. Por nëse do të donit të ngjiteshit në rrëzëllim dhe të gëzoheni si zogjtë në një ditë të bukur pranverore, atëherë kërkoni mirëbesim të fortë.
Një arsye tjetër. Përkujdesuni për besimin tuaj miqtë e mi, sepse është shumë shpesh kaq i dobët, sa kërkon të gjithë vëmendjen tuaj. Nuk e di nëse ndonjëri prej jush e ndjen se besimi juaj është shumë i fortë, por nuk e ndjej kurrë timin mjaft të fortë. Më duket se është aq i fortë mjaftueshëm sa të durojë veç telashet e ditës dhe jo më shumë. Nëse do t’i hiqje diçka nuk do të qëndronte dot në këmbë. Përsa i përket disave nga ne, besimi ynë është aq i dobët sa telashi më i vogël kërcënon ta gllabërojë. Dhia kalon dhe han filizin e tij të brishtë, dimri e ftoh dhe e ngrin; është pothuajse gati për të vdekur. Dhe besimi im shumë shpesh varet te filli më i dobët; ai duket gati duke dhënë shpirt. Ki kujdes për besimin tënd, i krishterë ki kujdes për besimin tënd, çfarëdo që të lësh jashtë dyerve natën, mos e lër jashtë atë fëmijë të vogël besimi, çfarëdo bime të jetë e pambrojtur ndaj ngricës, sigurohu që ta fusësh besimin brenda. Ki kujdes besimin, sepse në përgjithësi është kaq i dobët, ka shumë nevojë të ruhet mirë. Kështu pra, u përpoqa, aq sa pata mundësi, këtë mëngjes, të vë përpara domosdoshmërinë e madhe për t’u kujdesur për besimin tonë dhe lutja jonë duhet të jetë, ashtu siç ishte ajo e apostujve, “na e shto besimin.”
II. Kjo na sjell, së dyti, të konsiderojmë DËSHIRËN E ZEMRËS SË APOSTUJVE. “Na e shto besimin.”
Ata nuk thanë, “Zot mbaje besimin tonë të gjallë: Zot mbështete atë ashtu siç është në të tashmen, por, “na shto besimin.” Sepse ata e dinin shumë mirë se është vetëm me anë të rritjes (shtimit) që i krishteri mbahet gjallë në çdo kohë. Napoloni tha njëherë, “duhet të luftoj beteja dhe duhet t’i fitoj: pushtimi më ka bërë çfarë jam dhe pushtimi duhet të më mbajë.” Dhe po kështu është me të krishterin. Nuk janë betejat e së djeshmes që do të më shpëtojnë sot; unë duhet të shkoj përpara. Një rrotë rri në këmbë për aq kohë sa lëviz, por kur fillon të qëndrojë pa lëvizur bie përtokë. Njerëzit e krishterë shpëtohen me përparim: përparimi i vazhdueshëm e mban gjallë të krishterin. Nëse do të ishte e mundur për mua të ndaloja, nuk e di se çfarë do të ishte jeta ime. I krishteri duhet të shkojë përpara, sepse shigjeta do të ngjitet lart ndërsa është akoma në përparim, por ajo bie në çastin kur fuqia që e mban lart ndalon. Po kështu apostulli i tha Zotit, “na e shto besimin.”
Së pari: “Na e shto besimin,” në shtrirjen e tij; shtrirja përsa i përket asaj që do të marrë. Zakonisht, kur ne fillojmë jetën e krishterë, besimi nuk shtrëngon shumë; beson vetëm ca doktrina elementare. Më duket se shumë të sapo kthyer në besim nuk kanë shkuar shumë më larg se sa të besojnë se Jezu Krishti vdiq për mëkatarët, pak nga pak ata përparojnë dhe besojnë zgjedhjen, por ka diçka pak përtej që ata nuk e pranojnë dhe është mbas shumë vjetësh që ata e marrin të tërë ungjillin. Disa nga ju, dëgjuesit e mi dhe shumë që nuk janë dëgjuesit e mi, janë shpirtra të vegjël të mpirë; ju keni mësuar një kredo të derdhur si hekuri dhe ju nuk do të lëvizni kurrë prej saj. Dikush hartoi pesë a gjashtë doktrina, dhe tha, “këto janë doktrinat e Biblës,” dhe ju i besoni këto, por ju nuk doni ta shtoni besimin tuaj, sepse ju nuk besoni shumë më tepër, në gjithçka tjetër që përmban Bibla. Nuk mendoj se ndryshoj prej ndonjërit të vëllezërve të mi ultrakalvinist në atë që besoj, po ndryshoj në atë që ata nuk besojnë. Nuk besoj më pak se sa ata besojnë, por besoj pak më shumë dhe mendoj se ndërsa rritemi shpirtërisht, besimi ynë do të rritet; jo vetëm që ka atje ca doktrina që do të ishin të mjaftueshme të drejtojnë anijen tonë në veri, jug, lindje, ose perëndim, por ne do të fillojmë të besojmë diçka për veriperëndimin dhe verilindjen dhe atë që shtrihet në mes katër pikave. Shumë njerëz, kur dëgjojnë ndonjë gjë sadopak të kundërt me atë që kanë dëgjuar zakonisht, thonë menjëherë, “Kjo nuk është e shëndoshë.” Po kush ju bëri ju gjykatës të asaj që është e shëndoshë? Dhe ka ca shpirtra të vegjël që e heqin veten si princa në Izrael dhe mendojnë se çdo njeri duhet të besojë ashtu si ata besojnë ose përndryshe është dukshëm në gabim dhe nuk do të mbajnë shoqërim ose miqësi të krishterë me të. Jam i sigurt se mund t’i lutem Zotit për ta—”Shto besimin e tyre!” Ndihmoi ata të besojnë pak më shumë; ndihmoi ata të besojnë se mund të ketë të krishterë Ueslianë; se ata janë të krishterë të mirë dhe se jo vetëm Baptistët janë shumë lloj i mirë njerëzish, por se ka ca nga të zgjedhurit e Perëndisë kudo. Jam i sigurt teksa lutem për të gjithë sektarët, që ata të mund të kenë një zemër më të gjerë. Do të doja të zgjeroja pak zemrën e tyre. Mirëpo jo, ata kanë arritur në fundin e botës, ata kanë mbërritur në ishujt fatlumë më të fundit, nuk mund të ketë më breg përtej. Është e rrezikshme për një marinar të zgjasë lundrimet e tij në detra të panjohur. “Deri këtu,” thotë Krispi i zellshëm dhe prandaj shumë marrin me mend, “deri këtu do të shkosh dhe jo më tej.” Dr. Gill deklaron po kaq dhe kush do të guxonte të thoshte më shumë; ose ndoshta Kalvini është bërë standardi dhe çfarë i duhet një njeriu të mendojë edhe një mendim të vetëm përtej Kalvinit? I bekuar qoftë Perëndia, ne kemi shkuar pak përtej asaj dhe ne mund të themi, “Na e shto besimin.” Pavarësisht admirimit për këta teologe standardë, ne nuk jemi gati të mbyllemi me kyç në kafazet e tyre të hekurt të vegjël, por ne themi, “Hap derën dhe më lër të fluturoj—më lër akoma të ndjej se jam në liri. Shto besimin tim dhe më ndihmo të besoj pak më shumë.” E di se mund të them se kam patur një rritje besimi në një ose dy pika brenda dy muajve të fundit. Për një kohë të gjatë nuk mund të shihja ndonjë gjë të ngjashme me Mileniumin në Shkrimet; nuk mund të gëzohesha shumë në ardhjen e dytë të Krishtit, edhe pse e besoja, por shkallë shkallë besimi im filloi t’i hapet kësaj teme dhe e konsideroj atë tani si një pjesë e ushqimit dhe e pijes sime, për të kërkuar dhe po ashtu për të shpejtuar ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besoj se kam filluar të mësoj vetëm ABC e Shkrimeve dhe do t’i klith Zotit vazhdimisht, “Ma shto besimin,” që të mund të di më shumë dhe të besoj më shumë dhe të kuptoj Fjalën tënde shumë më mirë. “Ma shto besimin,” në shtrirjen e tij.
Më pas, “Ma shto besimin” në intensitetin e tij. Besimi ka nevojë të rritet në fuqinë e tij, po ashtu si dhe në shtrirjen e tij. Ne nuk dëshirojmë të veprojmë si disa bëjnë me një lumë, kur thyejnë argjinaturën, për ta lënë të përhapet në kullotë dhe kështu e bëjnë më të cekët, por ne dëshirojmë, ndërsa rritet në sipërfaqe, që të mund të rritet njëlloj në thellësi. Rrit “intensitetin e besimit tonë!” Besimi në fillim e merr mëshirën e Perëndisë me një pëllëmbë të hapur: teksa rritet e shtrëngon me gishtat e tij dhe jo më fort, por kur besimi forcohet, ah! ai e merr atë si me një morsë të hekurt dhe e shtrëngon, dhe as vdekja dhe as ferri nuk do të mund të rrëmbente një premtim prej dorës së besimit kur besimi është i fortë. I riu i krishterë në fillim nuk është i qëndrueshëm në besimin e tij, vjen një erë e vogël dhe ai luhatet, mirëpo kur ai bëhet një i krishterë me përvojë do të duheshin stuhi të mëdha për ta lëvizur nga vendi. A nuk ndjeni miqtë e mi të shtrenjtë se ju dëshironi që besimi juaj të rritet në intensitetin e tij ? A nuk do të këndonit me Uatsin:
“Oh! sikur të kisha një besim më të fortë,
Për të parë përbrenda velit;
Për t’i zënë besë asaj që Shpëtimtari im tha,
Fjala e të Cilit nuk mund të dështojë kurrë?”
I gjori besimi juaj i vogël nuk mund të shikojë shumë larg përpara tij, sepse ka re errësire rreth e përqark, por besimi i fortë mund të ngjisë malin që quhet “kthjelltësi,” dhe aty prej majës mund të shikojë qytetin qiellor dhe tokën e largët. Oh! Perëndia ju shtoftë besimin në një shkallë të tillë, që ju të keni shpesh vizione të parajsës — që ju të këndoni ëmbëlsisht ashtu si Moisiu mund të ketë bërë në majë të Pisgahut,–
“Oh! pamja e mrekullueshme rrëmbyese
që ngrihet përpara meje.
Fusha të ëmbla veshur me blerim të gjallshëm,
Dhe lumenj kënaqësie.”
Që të mund të ngjiteni atje, të lani sytë tuaj në shkëlqim, të zhysni shpirtrat tuaj në lumenj lumnie dhe të jeni tërësisht të rrëmbyer dhe entuziazmuar prej vizioneve të asaj gjendje lumturie që së shpejti do të jetë juaja, më lejoni t’ju jap zemër për t’i klithur Zotit, “Ma shto besimin” në fuqinë e tij për të kuptuar parajsën dhe në çdo gjë tjetër.
III. Nuk kam kohë të kaloj mbi këtë, por duhet ta mbyll duke përmendur shkurt PERSONIN SË CILIT APOSTUJT I DREJTUAN LUTJEN E TYRE. Apostujt i thanë Zotit, “Na shto besimin!” Ata shkuan te personi i duhur. Ata nuk i thanë vetvetes, “unë do të shtoj besimin tim,” ata nuk i thërritën pastorit, “Prediko një predikim ngushëllues dhe rrit besimin tim,” ata nuk thanë, “unë do të lexoj këtë ose atë libër dhe kjo do të ma rrisë besimin tim.” Jo, ata i thanë Zotit, “Na shto besimin.” Vetëm autori i besimit mund ta rrisë atë. Unë do të mund ta fryja besimin tuaj derisa ai të kthehej në mburrje, por nuk do të mund ta rrisja. Është vepra e Perëndisë ta ushqejë besimin, po ashtu për t’i dhënë jetë në fillim; dhe nëse njeri prej jush dëshiron të ketë një besim të rritur, shkoni dhe dërgoheni barrën tuaj këtë mëngjes te froni i Perëndisë, duke klithur “Zot, na e shto besimin!” Nëse ndjeni se telashet tuaja janë shtuar, shkoni te Zoti dhe thoni, “na shto besimin!” Nëse paraja juaj po rritet, shkoni te Zoti dhe i thoni, “na shto besimin”; sepse ju do të keni nevojë për më shumë besim teksa fitoni më shumë mirëqenie. Nëse plaçka juaj po pakësohet shkoni tek Ai dhe thoni, “na shto besimin tonë,” kështu që atë që humb në një anë të mund ta fitosh në anën tjetër. A je shëndetlig a me dhimbje këtë mëngjes? Shko te Mjeshtri yt dhe thuaj, “ma shto besimin, në mënyrë që të mos të jem i paduruar, por të mundem ta duroj ashtu si duhet.” A jeni të lodhur dhe të dërrmuar? Shkoni dhe përgjërohuni, “Na shto besimin tonë!” A keni besim të vogël? Çojani Perëndisë dhe Ai do ta kthejë në një besim të madh. Nuk ka shtëpi të ngrohtë për të rritur brenda bimë të brishta, se sa si shtëpia që është brenda perdeve—tabernakulli i Perëndisë, ku Shekinah banon.
Jam duke folur ndërsa vuaj shumë, por do të doja, nëse e mundur, ta mbyllja duke ju pyetur ju që jeni të krishterë nëse e mendoni këtë lutje shumë të nevojshme për gjendjen tuaj. Secili t’i bëjë pyetjen vetes, “a nuk kam nevojë për më shumë besim?” Vëllezërit dhe motrat e mia në Zotin Jezu Krisht, jini të sigurt, ju nuk do të merrni kurrë me tepri nga ky hir i çmuar. Edhe sikur të paguanit gjatë gjithë rrugës tuaj për në parajsë nuk do t’ju mbetej asnjë qindarkë kur të mbërrini në portën e parajsës. Nëse jetoni me besim përgjatë gjithë udhëtimit tuaj, nuk do t’ju mbetet as dhe një vazo me manë. Lutuni pra, për një rritje besimi. A doni që kjo Kishë të qëndrojë, apo jo? Ajo mund të qëndrojë vetëm në përpjesëtim të faktit se ju jeni burra dhe gra të besimit. E di se mund t’ju jap zemër për të qenë burra lutjeje, por besimi është guri i themelit; lutja vjen më pas. Lutja pa besim do të ishte një përqeshje e zbrazët; nuk do të fitonte asgjë prej Perëndisë. A do të donit që ne të qëndrojmë? A e dini se si bota flet për ne—si flitet për entuziazmin e qiraxhinjve të Rrugës së Parkut? Si ka për t’u ruajtur, përveçse me anë të besimit. Si do të mbahen duart e pastorit tuaj përveçse me anë të besimit dhe lutjeve tuaja? Le të jetë besimi Aaroni; le të jetë lutja Huri dhe besimi dhe lutja mund të mbajnë duart e Moisiut, ndërsa ushtria poshtë po lufton armikun. A do të donit të ruheshit prej rënies? Ju duhet të jeni të fortë në besim. Besimi i vogël bie, besimi i fortë qëndron. A do të donit të dilnit fitimtarë çdo ditë dhe të mbretëronit në qiell me një kurorë yjore më të shndritshme se çdo përfytyrim i juaji? Atëherë rrituni në besim. Dhe a do të donit të nderonit shumë Perëndinë dhe të hynit në qiell, pasi të keni luftuar një luftë të mirë dhe të keni fituar një kurorë? Atëherë unë do të ofroj këtë përgjërim, “shto besimin e popullit tim,” dhe do të ngre lart lutjen, “ma shto besimin.”
Por ka disa nga ju, miq të shtrenjtë, që nuk mund ta përdorin këtë kërkesë dhe nuk guxojnë. Për çfarë do t’ju vlente nëse do të bënit kështu? Duke parë se nuk keni besim, si mund të ndodhë vallë që ajo që nuk ekziston të rritet. Sido që të jetë, nevoja juaj e parë është të zotëroni farat e para të besimit. Oh! dëgjuesit e mi, çuditem çfarë bëjnë disa nga ju pa ngushëllimet që vetëm besimi mund të japë. Disa nga ju janë njerëz shumë të varfër: si ai dilni pa besim të duroni punët e rënda dhe telashet? Ku është ngushëllimi juaj? Nuk çuditem se ju shkoni të bëheni xurxull, ose të ziheni në birrari, nëse nuk keni ngushëllim tjetër në këtë botë. Kur jam futur në disa prej rrugicave me emër të keq dhe kam parë varfërinë e njerëzve, kam menduar, “nëse këta njerëz nuk kanë fe, çfarë kanë për t’i ngushëlluar? Ata nuk janë si njeriu i pasur, që mund të kënaqet në çdo mënyrë: çfarë kanë marrë në këtë botë për të cilën ia vlen të jetosh?” Ma merr mendja se ata kanë një lloj lumturie: se çfarë gjëje është nuk mund ta them; është për mua një burim shqyrtimi i vazhdueshëm. Dhe ju njerëz të pasur, çfarë do të bëni pa besim? Ju e dini se duhet të lini të gjithë pasurinë tuaj mbrapa jush; patjetër që kjo do ta bëjë idenë e vdekjes të tmerrshme për ju. As që nuk mund ta kuptoj edhe lumturinë tuaj, nëse keni vërtet ndonjë. Di këtë—se
“nuk do ta ndryshoja gjendjen time të bekuar
për gjithçka që bota quan të mirë ose të madhe;
dhe ndërsa besimi im qëndron i fortë,
nuk e lakmoj arin e mëkatarëve.”
Por do të doja t’ju pyesja se çfarë do të bëni ju në botën tjetër pa besim. Kujtoni, ju po qëndroni tani mbi buzën e një gremine të gjerë të një të ardhme të panjohur. Shpirti juaj qëndron duke u dredhur në buzën e honit të errët; sa herë që pulsi juaj rreh, shpirti juaj sillet më afër përjetësisë. Besimi i jep krahë shpirtit, por çfarë do të bëni ju pa krahë? Ka një greminë të ngushtë që ndan tokën nga qielli; i krishteri rreh krahët e tij dhe i mbajtur nga to, ai fluturon drejt qiellit, por çfarë do të bëni ju pa krahë? Do të jetë një kërcim—një kërcim në skëterrë, për t’u zhytur atje përherë, pa pushtetin për ta rimarrë veten. Nëse një i krishterë do të zhytej gjatë udhëtimit të tij drejt qiellit ai nuk do të zhytej shumë, sepse ai do të rrah krahët dhe ai do të jetë lart përsëri. Por atje do të jeni ju, përjetësisht duke zbritur në atë gropë që nuk ka fund—duke luftuar për t’u ngritur, por nuk do të mundni, sepse nuk keni krahë. Edhe një herë,oh! jobesimtarë, çfarë do të bëni ju pa krahë? Sepse besimi i jep sy shpirtit; besimi na jep të shikojmë ato gjëra që janë të padukshme: është “siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.” I krishteri kur vdes, do të hyjë në tokën e vdekjes me sytë hapur; me këta sy hapur ushtritë e engjëjve do të gëzojnë shikimin e tij, por ju do të vdisni me një shpirt qorr dhe pa sy. Fatkeq është risku i të verbrit në këtë botë të tanishme, por sa pafundësisht për të ardhur keq ai verbim i përjetshëm që do të zërë shikimin e atyre shkëlqesive të parajsës dhe do të mbyllë përherë madje edhe rrezen më të dobët të gëzimit dhe të shpresës. Dhe një më shumë; besimi është dora e shpirtit. I krishteri, kur vdes, mbërthen petkun e Krishtit dhe Krishti e dërgon atë në qiell. Një engjëll rrezellitës zbret,–e kap atë engjëll dhe mbi krahët e tij ai më shpie me fluturim në lumni. Por kur jobesimtari vdes, engjëlli do të kishte një porosi të padobishme, sepse ai nuk ka duar. Merr me mend, o mëkatar, Krishti është atje, por ti as që mund të prekësh rrobat e Tij, sepse nuk ke duar që ta bësh këtë gjë. Çfarë do të bësh në botën tjetër pa duar? Apo mendon se Perëndia do të lejojë në qiell të tillë shpirtra të deformuar pa duar dhe pa sy? Jo, aspak. Por si mund të hysh brenda pa duar? Ti nuk mund të hapësh dyert e qiellit. Çfarë do të bësh? Do të kërkosh mëshirën e Perëndisë dhe edhe sikur mëshira do të jepej, ti nuk do të kishe duar me të cilat ta mbërtheje. Nuk e kuptoj se si disa nga ju janë të lumtur pa fe, nuk e di se çfarë keni ndërmend të bëni nëse vdisni pa besim. Shkoni në shtëpi dhe mendoni se çfarë do të bëni nëse vdisni pa fe, nëse ke ndërmend të sillesh si i paturp përpara fytyrës së të Përjetshmit, ose të nënshtrohesh butësisht. Mëkatar! ti nuk mund të hysh në qiell pa besim, por për çfarë e ke mbledhur mendjen të bësh? A ke ndërmend të shkallmosh dyert e parajsës? A mendon se ke plotfuqi mjaftueshëm sa të hapësh me pahir shtegun tënd përmes skuadriljeve të kerubinëve dhe legjioneve të engjëjve dhe kështu të hysh me dhunë. Ose çfarë ke për qëllim të bësh? A ke ndërmend të shtrihesh qetësisht në shtretër sulfuri? A ke për qëllim të hidhesh vullnetarisht nga të gjitha anët në atë liqen squfuri që nuk ka fund, ku lot të njelmët bien përjetë? A do ta bësh vallë këtë? A do ta përgatitësh vallë shtratin tënd në ferr? Zotërinj, a jeni vallë kaq të shushatur sa kënaqeni me një gjykim të tillë përjetësisht? A keni humbur vallë arsyen? A janë vallë shqisat tuaja kaq të verbra sa shpirti juaj të humbasë përjetësisht? Me siguri që ju keni vendosur të bëni ndonjë gjë. Çfarë atëherë, do të bëni? A kujtoni se pa besim do të hyni në parajsë, ndërkohë që është e shkruar, “Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë?” Dhe kur Perëndia ka thënë. “Ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar,” a mendon vallë se mund ta përmbysësh dekretin? A do të ngjitesh vallë në fronin e Jehovait dhe të mohosh vetë Jehovain? A do të ndryshonte Ai vallë dekretin e Tij duke pranuar jobesimtarin në parajsë? Jo, ti nuk mundesh! Dridhu pra, jobesimtar, dridhu, sepse atje të pret asgjë përveçse një “vështrim i frikshëm për një gjykim dhe për një zemërim të zjarrtë.” Çfarë do të bëni në fryrjen e Jordanit, pa besimin për të mbajtur kokat tuaja mbi ujërat? Perëndia i dhëntë besim atyre që nuk kanë dhe për sa i përket të tjerëve, i shtoftë besimin e tyre!