Drejtësimi me anë të besimit, i ilustruar prej drejtësisë së Abramit.
Tabernakulli Metropolitan
6 dhjetor 1868
Predikim nr 844
Nga C.H. Spurgeon
“Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.”—Zanafilla 15 :6
Ju e mbani mend se herën e kaluar në mëngjesin e ditës së Zotit ne folëm për thirrjen e Abramit dhe besimin me anë të cilit ai u aftësua prej urdhërimit të Shumëtëlartit për të hyrë në atë jetë të ndarë nga bota. Mbasi më parë morëm në konsideratë thirrjen e tij, sot do të konsiderojmë drejtësimin e tij; ky i fundit tejet mrekullisht renditet menjëherë më pas në historinë e tij, ashtu siç është edhe në teologjinë e Dhiatës së Re, sepse, “ata që i thirri edhe i shfajësoi (drejtësoi).”
Duke iu referuar kapitullit përpara nesh si një hyrje për subjektin tonë, vini re se mbas thirrjes së Abramit besimi i tij tregoi se ishte i llojit tejet praktik. Duke qenë i thirrur për t’u ndarë nga të afërmit dhe vendit tij, ai nuk u bë një njeri i mbyllur, një njeri me zakone asketike, ose një sentimentalist, i papërshtatshëm për betejat e jetës së zakonshme—jo, por në stilin më fisnik të burrërisë së vërtetë ai e tregoi veten të aftë për të duruar telashet familjare dhe sprovën publike që e prisnin. Barinjtë e Lotit patën zënka me shërbëtorët e Abramit dhe Abrami me një paanshmëri të madhe i dha kushëririt të tij më të ri dhe shumë më poshtë tij mundësinë për zgjedhjen e kullotës dhe hoqi dorë nga lugina e mirëujitur e Sodomës, që ishte edhe toka më e përzgjedhur. Pak më pas, ky burrë i vjetër e fisnik që besoi në Perëndinë e tij tregoi se ai mund ta bënte dhe ushtarin dhe luftoi ashtu si duhej e lavdishëm kundra kundërshtarësh më të fortë e më të shumtë në numër. Ai mblodhi bashkë shërbëtorët e vetë shtëpisë së tij, pranoi ndihmën e fqinjëve të tij dhe ndoqi ushtritë pushtuese të mbretërve të bashkuar dhe i goditi ata me një dorë aq të rëndë sa sikur të kishte qenë që prej rinisë së tij një ushtarak i sprovuar. Vëllezër, ky besim i jetës së përditshme është besimi i të zgjedhurit të Perëndisë. Ka njerëz që e përfytyrojnë besimin shpëtimtar si një bindje sterile ndaj së vërtetës së disa propozimeve abstrakte, që shpien vetëm te një soditje të qetë mbi disa tema të këndshme, ose që na ndan prej të gjitha bashkëveprimeve dashamirëse me të afërmin tonë, por nuk është kështu. Besimi, i kufizuar thjesht në ushtrimin fetar, nuk është besim i krishterë dhe duhet ta tregojë veten në gjithçka. Një besim i thjeshtë fetar mund të jetë zgjedhja e njerëzve me mendje më të buta se sa zemrat e tyre, më i përshtatshëm për manastir se sa për punët e kësaj jete, por besimi burrëror që Perëndia do të donte të kultivonim, është një parim i madh praktik i përshtatshëm për çdo ditë në javë, duke na ndihmuar të drejtojmë familjen tonë në frikën e Perëndisë dhe të hyjmë në konfliktet e ashpra të jetës qoftë në punën tonë, qoftë në biznes ose tregti. E përmenda këtë në fillim të këtij fjalimi, sepse po ashtu siç ky besim është besimi që erdhi prej thirrjes së Abramit, po ashtu i njëjti besim shkëlqen në drejtësimin e tij dhe është pikërisht ky besim që Perëndia ia vuri në llogari të drejtësisë.
Prapëseprapë vargu i parë na tregon se edhe një besimtar i tillë si Abrami kishte nevojë për inkurajim. Zoti i tha, “Mos ki frikë.” Pse Abrami kishte frikë? Pjesërisht për shkak të reagimit që shkaktohet përherë prej entuziazmit kur puna ka përfunduar. Ai pati luftuar me guxim dhe doli fitimtar me lavdi; dhe tani ai druan. Frikamanët dridhen përpara luftimit dhe burrat trima pas fitores. Elia theri priftërinjtë e Baalit pa frikë, por mbasi gjithçka mbaroi, fryma e tij u zhyt poshtë dhe ai ia mbathi larg fytyrës së Jezabelës. Frika e Abramit kishte për origjinë gjithashtu një tmerr të madh në praninë e Perëndisë. Fjala e të Përjetshmit iu drejtua atij me fuqi dhe ai ndjeu të njëjtën shembje fryme që e bëri Gjonin e shumëdashur të binte te këmbët e Zotit të tij në ishullin e Patmosit dhe bëri Danielin të ndjejë në brigjet e Hidekelit se forca e tij kishte shteruar. “Mos ki frikë,” i tha Zoti patriarkut ngaqë fryma e tij po binte poshtë.
Perëndia donte ta ngrinte shërbëtorin e tij të dashur në fuqinë e ushtrimit të një familjariteti të shenjtë. Ah, vëllezër, kjo është një frikë e bekuar—le ta kultivojmë atë, sepse derisa të nxirret jashtë prej dashurisë së përkryer, gjë që është akoma më mirë, le të kënaqemi duke e lënë këtë gjë të mirë të sundojë zemrat tona. Një njeri i ndërgjegjshëm për dobësitë e tij, a nuk do të ulej poshtë para syve të tij në përpjesëtim të aq sa është i nderuar me shoqërim me Zotin e lavdishëm?
Në çastin që u qetësua, Abrami mori një deklaratë të hapur të drejtësimit të tij. Të dashur miq, mendoj se teksti ynë nuk ka për qëllim të na mësojë se Abrami nuk ishte i drejtësuar përpara kësaj kohe. Besimi përherë drejtëson kudo që ekziston dhe po aq shpejt sa ushtrohet; rezultati i tij vjen menjëherë. Në çastin kur një njeri me të vërtetë beson Perëndinë e tij ai është i drejtësuar. Prapëseprapë shumë që janë të drejtësuar nuk e dinë gjendjen e tyre të lumtur; këtyre deri tani bekimi i drejtësimit nuk u është hapur në shkëlqesinë e tij dhe në bollëkun e privilegjit. Mund të ketë disa nga ju sot që me anë të hirit janë thirrur prej errësirës në një dritë të mrekullueshme; ju jeni udhëhequr të shikoni të Jezusi dhe ju besoni se keni marrë faljen e mëkateve dhe prapëseprapë, prej një mungese njohurie, ju pak e njihni kuptimin e ëmbël të të tillave fjalë si këto, “Të pëlqyer në të dashurin Birin e Tij,” “Të përsosur në Jezu Krishtin,” “Kemi marrë plotësinë në Të.” Ju jeni pa dyshim të drejtësuar edhe pse me zor e kuptoni çfarë do të thotë drejtësimi; dhe ju jeni të pranuar, edhe pse nuk e keni kuptuar pranimin tuaj; dhe ju jeni të plotë në Jezu Krisht, edhe pse keni sot një ndijim shumë më të thellë të mosplotësisë suaj personale se sa të plotmjaftueshmërisë së Jezusit. Një njeri mund të jetë titullar i një pronësie edhe kur nuk mund ta lexojë dot aktin e pronësisë, ose edhe kur nuk ka dëgjuar për ekzistence e tyre; ligji njeh të drejtën dhe faktin, jo të kuptuarin tonë në lidhje me këto. Por do të vijë një kohë të dashur, kur ju që jeni të thirrur do të kuptoni qartë drejtësimin tuaj dhe do të gëzoheni në të, do të kuptohet në mënyrë inteligjente nga ju dhe do të bëhet një çështje kënaqësie rrëmbyese, duke ju ngritur në një pozicion më të lartë përjetimi dhe duke ju mundësuar të ecni me një hap më të qëndrueshëm, të këndoni me një zë më të gëzueshëm dhe të triumfoni me një zemër më të madhe.
Kam ndërmend tani, ashtu si Perëndia të mund të më ndihmojë, së pari të tërheq vëmendjen mbimjetin e drejtësimit të Abramit; më pas, së dyti, mbi objektin e besimit që e drejtësoi atë;dhe pastaj, së treti, shoqëruesit e drejtësimit të tij.
I. Së pari vëllezër, si u drejtësua Abrami?
Ne shikojmë në tekst të vërtetën e madhe, që Pali kaq qartë nxjerr në dritë në kapitullin e katërt të letrës së tij të drejtuar Romakëve, se Abrami nuk u drejtësua nga veprat e tij. Shumë kishin qenë veprat e mira të Abramit. Ishte një vepër e mirë të largohej prej vendit të tij dhe shtëpisë së atit të tij nën urdhrin e Perëndisë; ishte një vepër e mirë të ndahej prej Lotit në një frymë kaq fisnike; ishte një vepër e mirë të ndiqte nga pas me një kurajë të patrembur mbretërit plaçkitës; ishte një vepër e madhe të refuzonte të merrte plaçkën e Sodomës, duke bërë be përpara Perëndisë se nuk do të merrte as edhe një pe dhe as edhe një lidhëse opingash; ishte një vepër e shenjtë ndërsa i dha Melkisedekut një të dhjetën e të gjitha atyre që ai zotëronte dhe të adhuronte Shumëtëlartin Perëndi; prapëseprapë asnjë nga këto nuk janë të përmendura në tekst, po ashtu nuk ka aty ndonjë aluzion për ndonjë detyrë tjetër të shenjtë si themeli ose shkaku, ose shkaku i pjesshëm i drejtësimit të tij përpara Perëndisë. Jo, është e thënë, “ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.” Me siguri vëllezër, nëse Abrami, mbas shumë vitesh jete të shenjtë, nuk është i drejtësuar nga veprat e tij, por është i pranuar përpara Perëndisë për llogari të besimit të tij, aq më shumë duhet të jetë ky rasti me mëkatarin e papërshpirtshëm që, duke pasur jetuar në padrejtësi, prapëseprapë besoi në Jezusin dhe është i shpëtuar. Nëse ka shpëtim për keqbërësin gati për të vdekur dhe të tjerë si ai, nuk mund të jetë prej borxhit po prej hirit, duke qenë se ata nuk kanë vepra të mira. Nëse Abrami, kur plot me vepra të mira, nuk është i drejtësuar prej tyre, por nga besimi i tij, aq më shumë ne, duke qenë plot me mospërkryerje, duhet të vijmë te froni i hirit qiellor dhe të kërkojmë që të mund të drejtësohemi me anë të besimit që është në Krishtin Jezus dhe të shpëtohemi nga mëshira falas e Perëndisë.
Më tej, ky drejtësim nuk erdhi te Abrami prej bindjes ndaj ligjit ceremonial dhe aq më pak prej respektimit të ligjit moral. Ashtu si apostulli na e ka vënë qartë në dukje, Abrami u justifikua përpara se të rrethpritej. Hapi fillestar në besëlidhjen e dukshme dhe të jashtme, për aq sa ishte ceremoniale, nuk ishte bërë akoma dhe prapëseprapë ai u drejtësua në mënyrë të përkryer. Gjithçka që vjen më pas nuk mund të marrë pjesë në një gjë që është tashmë e përkryer. Abrami, duke qenë tashmë i drejtësuar, nuk mund t’ia njohë atë drejtësim rrethprerjes së tij të mëvonshme—kjo është mjaft e qartë; dhe prandaj të dashur, në këtë çast, nëse ju dhe unë kemi nevojë të drejtësohemi, këto dy gjëra janë të sigurta: nuk mund të jetë prej veprave të ligjit moral; nuk mund të jetë prej bindjes ndaj ndonjë ligji ceremonial, çfarë do që mund të jetë—qoftë rituali i shenjtëruar i dhënë Aronit, ose rituali besëtytnor që pretendohet se është vendosur gradualisht prej traditës në kishë. Nëse jemi me të vërtetë fëmijët e Abramit besnik dhe na duhet të drejtësohemi sipas mënyrës së Abramit, nuk mund të jetë nga bindja ndaj riteve ose ndaj lloj lloj ceremonive. Merrni në konsideratë këtë me kujdes, ju që doni të jeni të drejtësuar përpara Perëndisë: pagëzimi është në vetvete një rit i shkëlqyeshëm, por nuk mund të drejtësojë as të ndihmojë për të na drejtësuar; konfirmimi fetar është thjesht një trillim njeriu dhe nuk mund, edhe sikur të ishte i urdhëruar prej Zotit të na vijë në ndihmë në drejtësimin tonë; po ashtu dhe darka e Zotit, edhe pse është një institucion hyjnor, nuk mund, në çfarë do lloj pikëpamje, të shërbejë për pranimin tënd ose për drejtësinë tënde përpara Perëndisë. Abrami nuk pati ndonjë ceremonial ku të mbështetej; ai ishte i drejtë me anë të besimit të tij dhe i drejtë vetëm me anë të besimit të tij; dhe po kështu duhet që ju dhe unë nëse kemi për të qëndruar të drejtë përpara Perëndisë. Besimi në rastin e Abramit ishte shkaku i vetëm i faktit se ai u njoh si i drejtë, sepse vini re, edhe pse në raste të tjera besimi i Abramit prodhoi vepra, dhe edhe pse në çdo rast kur besimi është i vërtetë prodhon vepra të mira, prapëseprapë shembulli i veçantë i besimit i shënuar në këtë kapitull ishte i pashoqëruar prej ndonjë vepre. Perëndia e solli përpara nën qiejt yje stërpikur dhe e urdhëroi të shikonte lart. “Kështu ka për të qenë pasardhja jote.” tha zëri i shenjtë. Çfarë bëri Abrami? Besoi premtimin—kjo ishte e gjitha. Kjo ndodhi përpara se të kishte ofruar flijimin, përpara se të kishte thënë ndonjë fjalë të shenjtë ose të kishte kryer ndonjë veprim të vetëm çfarëdolloj që fjala menjëherë dhe në çast u shpreh, “Ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.” Gjithmonë bëj dallimin midis së vërtetës, se besimi i gjallë gjithmonë prodhon vepra dhe gënjeshtrës se besimi dhe veprat bashkëpunojnë për të drejtësuar shpirtin. Ne bëhemi të drejtë vetëm prej një akti besimi në veprën e Jezu Krishtit. Ai besim, nëse i vërtetë, gjithmonë prodhon shenjtëri jete, por drejtësimi ynë përpara Perëndisë nuk është për shkak të shenjtërisë sonë në jetë në çfarëdo shkalle ose pikëpamje, por thjesht për shkak të besimit tonë në premtimin hyjnor. Kështu tha apostulli i frymëzuar: “Prandaj besimi i tij iu numërua për drejtësi. E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar, por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin (drejtësimin) tonë.”
Do të doja të vinit re se besimi që drejtësoi Abramin ishte akoma një besim i papërkryer,edhe pse e drejtësoi atë në mënyrë të përkryer. Ishte i papërkryer më përpara, sepse ai luajti me fjalë në lidhje me gruan e tij dhe e urdhëroi Sarajn, “Thuaj që je motra ime.” Ishte i papërkryer mbasi besimi e pati drejtësuar, sepse në kapitullin e mëpasshëm ne e shohim atë duke marrë Agarin, shërbyesen e gruas së tij, me qëllim për të përmbushur qëllimin hyjnor dhe kështu duke treguar një mungesë mirëbesimi në veprën e Zotit. Është një bekim për ju dhe për mua që nuk kemi nevojë për një besim të përkryer për të na shpëtuar. “Në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t`i thoni këtij mali: “Zhvendosu nga këtu atje”, dhe ai do të zhvendoset.” Nëse nuk ke veçse besimin e një fëmije të vogël, prapëseprapë ky besim do të të shpëtojë. Edhe pse besimi yt nuk është i së njëjtës masë sa e patriarkut kur ky nuk u luhat prej mosbesimit në lidhje me premtimin, prapëseprapë nëse është i thjeshtë dhe i vërtetë, nëse ka besim vetëm në premtimin e Perëndisë—është një gjë e trishtueshme që nuk është më i fortë, dhe ti duhet të lutesh përditë, “Zot, ma shto besimin”–por prapëseprapë do të të drejtësojë me anë të Jezus Krishtit. Një dorë drithëruese mund ta mbajë kupën që siguron një gllënjkë—dobësia e dorës nuk do ta pakësojë fuqinë e mjekimit.
Deri këtu, atëherë, gjithçka është e qartë, Abrami nuk ishte i drejtësuar nga veprat, as nga ceremonitë, as pjesërisht nga veprat dhe pjesërisht nga besimi, as nga përsosmëria e besimit të tij—ai llogaritet i drejtë për shkak të besimit të tij në premtimin hyjnor.
Duhet të rrëfej se, duke e parë më nga afër, ky tekst është shumë i thellë për mua dhe prandaj heq dorë, në këtë çast të tanishëm, të hyj në polemikën që zien rreth tij, por një gjë është e qartë për mua, se nëse besimi, ashtu siç na thuhet, na numërohet për drejtësi, nuk është se besimi në vetvete ka ndonjë meritë që mund ta bëjë atë një zëvendësim të përshtatshëm për një bindje të përsosur ndaj ligjit të Perëndisë, po ashtu nuk mund të shikohet si një zëvendësim për një bindje të tillë. Sepse, vëllezër, të gjitha veprimet e mira janë një detyrë: ta vendosim besimin te Perëndia është detyra jonë dhe ai që ka besuar pa rezervë nuk ka bërë më shumë se thjesht detyrën e tij. Ai që do të besonte pa të meta, nëse kjo do të ishte e mundur, edhe kështu do t’i jepte Perëndisë vetëm një pjesë të bindjes së duhur; dhe nëse do të dështonte, në dashuri, në adhurim, ose në ndonjë gjë përbri, besimi i tij, si virtyt dhe vepër, nuk mund t’i sillte dot dobi. Në fakt, sipas parimit të madh të Dhiatës së Re, edhe besimi, si një vepër, nuk e drejtëson dot shpirtin. Ne nuk jemi të shpëtuar aspak prej veprave, por vetëm prej hirit dhe mënyra se si besimi na shpëton nuk është në vetvete si një vepër, por në një mënyrë tjetër drejtpërsëdrejti të kundërt.
Besimi nuk mund të jetë vetë drejtësia e tij, sepse është pjesë e natyrës së besimit të shikojë jashtë prej vetes për te Krishti. Nëse ndonjë njeri të thotë, “Besimi im është drejtësia ime,” atëherë është e qartë se ai po vendos besimin në besimin e tij, por kjo është pikërisht gjëja ndër të gjitha të tjerat që do të ishte e rrezikshme ta bënim, sepse ne duhet të shikojmë krejtësisht jashtë vetes tonë për te Krishti vetëm, ose përndryshe nuk kemi aspak besim të vërtetë. Besimi duhet të shikojë te shlyerja dhe vepra e Jezusit, ose përndryshe nuk është besimi i Shkrimit. Prandaj të thuash se besimi në vetvete dhe prej vetes së tij bëhet drejtësia jonë, do të ishte njësoj sipas meje sikur të shqyeje zemrën e ungjillit dhe të mohoje atë besim që iu dha një herë e përgjithmonë shenjtorëve. Pali deklaron, në kundërshtim me disa sekte që përqeshin drejtësinë që na është përçuar—se jemi shfajësuar dhe drejtësuar me anë të drejtësisë së Krishtit; në këtë ai është i qartë dhe i pamohueshëm. Ai na thotë (Romakët 5:19) se, “ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.” Vargu i Dhiatës së Vjetër përpara nesh si tekst këtë mëngjes na paraqet në një farë mënyre veç aspektin e jashtëm të drejtësimit që na jepet me anë të besimit dhe fakti që një njeri ka besim i jep të drejtë të quhet një njeri i drejtë; në këtë kuptim Perëndia ia numëron besimin një njeriu për drejtësi, por e vërteta e fshehtë dhe themelore që Dhiata e Vjetër nuk na jep aq qartë gjendet në deklaratën e Dhiatës së Re, se ne jemi të pëlqyer në të dashurin Birin e Tij dhe jemi të drejtësuar për shkak të bindjes së Krishtit. Besimi drejtëson, por jo në vetvete dhe prej vetes së tij, por sepse mbërthen bindjen e Krishtit. “Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.” Të njëjtën gjë na thotë dhe ai varg në letrën e dytë të Pjetrit (kapitulli i parë, vargu i parë), që në përkthimin tonë është: “Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht.” Tani, kushdo që është i njohur me origjinalin e di se përkthimi i saktë është “me anë të drejtësisë së Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” Drejtësia që i përket të krishterit është drejtësia e Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë, “i Cili nga Perëndia u bë për ne drejtësi.” Prej kësaj rrjedh dhe bukuria e atij titullit të vjetër profetik të Mesias, “Zoti drejtësia jonë.”
Nuk dëshiroj të hyj në polemikë këtë mëngjes në lidhje me drejtësinë që na numërohet, mund ta diskutojmë këtë doktrinë një herë tjetër, por ne ndjehemi të sigurt se ky tekst nuk mund të ketë si domethënie se besimi në vetvete, si hir ose virtyt, bëhet drejtësia e ndonjë njeriu. Fakti është se besimi na numërohet për drejtësi, sepse ai ka Krishtin në dorën e tij; ai vjen te Perëndia duke qëndruar në atë që Krishti ka bërë, duke u mbështetur vetëm te pajtimi që Perëndia ka kryer; dhe prandaj Perëndia, e shënon çdo njeri besimtar si njeri të drejtë, jo për shkak të ç’ka është në vetvete, por për ç’ka ai është në Krishtin. Ai mund të ketë me mijëra mëkate, prapëseprapë ai do të jetë i drejtë nëse ka besim. Ai mund të shkelë në mënyrë të dhimbshme si Sansoni, ai mund të jetë po aq në errësirë sa Jefteu, ai mund të bjerë si Davidi, ai mund të rrëshqasë si Noeu, por megjithatë nëse ai ka një besim të vërtetë dhe të gjallë, ai është i shënuar mes të drejtëve dhe Perëndia e pranon! Ndërsa ka disa që gëzohen me ligësi mbi gabimet e besimtarëve, Perëndia nxjerr jashtë xhevahirin e pastër të besimit duke shkëlqyer në kraharorin e tyre; ai i trajton ata ashtu siç ata do të donin të ishin, ashtu siç janë në zemrat e tyre, ashtu siç mund të ishin nëse do të mundnin; dhe duke mbuluar mëkatet e tyre me gjakun shlyes dhe duke i zbukuruar me drejtësinë e të Dashurit, Ai i pranon, duke parë në ta besimin që është shenja e njeriut të drejtë kudo që ai mund të jetë.
II. Le të kalojmë për të konsideruar PREMTIMIN KU BESIMI I TIJ U MBËSHTET kur Abrami u drejtësua.
Besimi i Abramit, ashtu si i yni, u mbështet te një premtim marrë drejtpërsëdrejti nga Perëndia. “Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt.” Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: “Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund ti numërosh,” pastaj shtoi: “Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu.” Sikur ky premtim të ishte thënë nga një tjetër do të kishte qenë një subjekt qeshje për patriarkun, por, duke e marrë atë si prej buzëve të Perëndisë, ai e pranon atë dhe mbështetet aty. Tani vëllezër, nëse ju dhe unë kemi besim të vërtetë ne e pranojmë premtimin, “ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar” si një premtim që është krejtësisht hyjnor. Nëse një deklaratë e tillë do të na ishte bërë prej priftërinjve të Romës, ose nga ndonjë krijesë njerëzore prej vetë autoritetit të vet, ne nuk do të mund ta konsideronim të vërtetë, por, për aq sa vjen te ne e shkruar në Fjalën e shenjtë si e folur nga vetë Jezu Krishti, ne mbështetemi aty jo si fjala e njeriut, por si Fjala e Perëndisë. Të dashur, mund të duket si diçka bazike kjo që po them, por si do që të jetë është e nevojshme që ne duhet të kujdesemi që besimi ynë në të vërtetën e Perëndisë të mbështetet te fakti se Perëndia e ka deklaruar atë si të vërtetë dhe jo te gojëtaria ose forca bindëse e ndonjë prej shërbenjësve tanë shumë të nderuar ose ndonjë prej të njohurve tanë shumë të respektuar. Nëse besimi juaj qëndron mbi urtësinë e njeriut, është ndoshta një besim te njeriu; vetëm ai besim që beson premtimin e Perëndisë ngaqë Perëndia e ka thënë, është besim i vërtetë te Perëndia. Mbajeni shënim këtë gjë dhe këqyrni besimin tuaj.
Më pas, besimi i Abramit ishte një besim te një premtim në lidhje me trashëgimtarin. Atij iu tha përpara kësaj se do të kishte një trashëgimtar në të cilin të gjitha kombet e tokës do të bekoheshin. Ai dalloi në këtë të njëjtin premtim që iu bë Evës në portat e Parajsës, “do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj.” “Abrahami ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time,” thotë Zoti ynë, “e pa dhe u gëzua.” Në këtë premtim Abrami pa të vetmin trashëgimtar, ashtu siç tha apostulli te Galatasit 3:16, “Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate”, pra Krishti.” Ai e pa Krishtin me syrin e besimit dhe atëherë ai pa morinë e njerëzve që do të besonte në Të, pasardhjen e Atit së besnikut. Besimi që drejtëson shpirtin ka lidhje me Krishtin dhe jo thjesht me të vërteta abstrakte. Nëse besimi yt thjesht beson këtë ose atë dogmë, nuk të shpëton, por kur besimi yt beson se Perëndia ishte në Krishtin duke e pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre, kur besimi yt kthehet drejt Perëndisë në mish njerëzor dhe mbështetet te Ai me gjithë mirëbesimin e vet, atëherë kjo të drejtëson, sepse është besimi i Abramit. Lexues i shtrenjtë, a ke një besim të tillë? A është besim në premtimin e Perëndisë? A është një besim që ka të bëjë vetëm me Krishtin dhe që shikon vetëm te Ai?
Abrami pati besim në një premtim që dukej i pamundur për t’u përmbushur ndonjëherë.Një fëmijë kishte për t’u lindur prej vetë ijëve të tij, por ai ishte pothuajse njëqind vjeç dhe për Saraj gjithashtu thuhet se ishte shterpe shumë vite më përpara. Vetë trupi i tij ishte në një farë mënyre i vdekur dhe Saraj në lidhje me shtatzëninë ishte në të njëjtën gjendje. Lindja e një djali nuk mund të ndodhte veçse nëse përmbyseshin ligjet e natyrës, por ai nuk i mori në konsideratë këto gjëra, ai i vuri ato mënjanë; ai pa vdekjen të shkruajtur mbi krijesën, por ai pranoi fuqinë e jetës në Krijuesin dhe ai besoi pa asnjë mëdyshje. Tani, të dashur, besimi që na drejtëson, duhet të jetë i të njëjtit lloj. Duket e pamundur që unë të mund të shpëtohem; nuk mund ta shpëtoj dot veten; unë shikoj vdekje absolute të shkruar mbi shpresat më të mira që çelin prej vendimeve të mia më të shenjta; “Në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë;” Unë nuk mund të bëj asgjë, jam i vdekur për ligjin; unë jam i korruptuar me anë të zvetënimit tim natyror, por prapëseprapë pavarësisht gjithë këtyre unë besoj se me anë të jetës së Jezusit unë do të jetoj dhe do të trashëgoj bekimin e premtuar. Është besim i vogël të besosh se Perëndia të ka shpëtuar ndërsa hiret lulëzojnë në zemrën tënde dhe dëshmitë e shpëtimit janë me bollëk, por është një besim i madh të besosh në Jezusin me gjithë mëkatet e tua dhe pavarësisht akuzave të ndërgjegjes. Të besosh në Të që drejtësoi jo vetëm të perëndishmin, por edhe të paudhin (Romakëve 4:5). Të mos besosh në Shpëtimtarin e shenjtorëve, por në Shpëtimtarin e mëkatarëve; dhe të besosh se nëse ndonjëri mëkaton, ne kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin; kjo është e çmueshme dhe na numërohet për drejtësi.
Ky besim drejtësues ishte besim që kishte të bënte me një premtim të mrekullueshëm, të pafund dhe sublim. E përfytyroj patriarkun duke qëndruar poshtë qiellit plot yje, duke shikuar ato trupa qiellore të panumërt. Ai nuk mund t’i numërojë dot. Për syrin e tij të jashtëm, i mësuar gjatë në vendin e Kaldeasve me vëzhgime në mesnatë, yjet u dukën më të shumtë se sa do t’i dukeshin një vëzhguesi të zakonshëm. Ai shikoi dhe shikoi sërish me vështrimin lart dhe zëri tha, “Kështu ka për të qenë pasardhja jote.” Tani, ai nuk tha, “Zot, nëse mund të isha ati i një klani, paraardhësi i një fisi, do të isha shumë i kënaqur, sepse nuk është e besueshme që një mizëri e panumërt të mund të dalë prej një trupi shterpë.” Jo, ai besoi premtimin! Ai e besoi ashtu siç ishte. Nuk e dëgjoj të thotë, “Është tepër e mirë për të qenë e vërtetë.” Jo, Perëndia e tha—dhe asgjë nuk është tepër e mirë për Perëndinë për ta realizuar. Sa më i madh hiri i premtimit, akoma më e mundshme është që të ketë ardhur nga Ai, sepse çdo gjë e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave. Të dashur, besimi juaj a e merr premtimin ashtu siç qëndron në gjerësinë, lartësinë, thellësinë dhe gjatësinë e tij? A mund të besosh se ti një mëkatar, je megjithatë një fëmijë, një bir, një trashëgimtar, një trashëgimtar i Perëndisë, bashkëtrashëgimtar me Krishtin Jezus? A mund të besosh se parajsa është e jotja, me gjithë kulmet e saj të gëzimit; përjetësia me lumninë e saj të pafundme; Perëndia me gjithë atributet e Tij të lavdishme? Oh! Ky është besimi që drejtëson, me shtrirje të madhe, që mbërthen gjerë e gjatë, që nuk e tkurr fjalën e premtimit, por e pranon atë ashtu siç është. Le të mund të kemi gjithnjë e më shumë nga ky besim i gjerë!
Edhe një gjë tjetër, Abrami tregoi besim në premtimin ashtu siç atij vetë iu bë. Prej vetë të përbrendshmeve të tij një pasardhje duhet të dilte dhe ishte në të dhe në pasardhjen e tij që e gjithë bota do të bekohej. Unë mund të besoj të gjitha premtimet në lidhje me njerëzit e tjerë. Më duket se besimi në lidhje me vëllain tim të shtrenjtë është një gjë e lehtë, por oh! Kur vjen puna për ta mbërthyer dhe për ta shtrënguar për veten time, këtu është vështirësia. Mund ta shoh vëllanë tim në dhjetëra telashe dhe besoj se Zoti nuk do ta braktisë. Mund të lexoj një biografi të një shenjtori dhe ndërsa zbuloj se Zoti kurrë nuk e braktisi shërbëtorin e tij kur ky eci përmes zjarrit dhe ujërave, nuk habitem me këtë, por kur vjen puna me veten time, fillon habia. Zemra jonë thërret, “kjo gjë a është vallë për mua? Kush jam unë dhe çfarë është shtëpia e atit tim që një mëshirë e tillë të jetë imja? Unë, sot, i larë në gjak dhe i bërë më i bardhë se bora! A është kështu vërtet? A mund të jetë vallë e mundur? Unë, i bërë i drejtë, me anë të besimit në Jezu Krisht, përsosmërisht i drejtë! Oh a mund të jetë vallë e mundur? Çfarë? Për mua dashuria e përjetshme e Perëndisë, duke rrjedhur prej burimit të Tij të përhershëm? Për mua mbrojtja e një providence të posaçme në këtë jetë dhe një parajsë të përgatitur për jetën e ardhshme? Për mua një harpë, një kurorë, një degë palme, një fron! Për mua lumnia e shikimit përgjithmonë të fytyrës së Jezusit dhe i bërë i ngjashëm me Të dhe duke mbretëruar me Të! Më duket e pamundur. Dhe prapëseprapë ky është besimi që ne duhet të kemi, besimi që mbështetet te Krishti Jezus për atë që Ai është, duke thënë me apostullin, “Ai më deshi dhe dha veten për mua.” Ky është besimi që drejtëson; le të kërkojmë gjithnjë e më shumë nga ky besim dhe Perëndia do të përlëvdohet përmes tij.
III. Së treti, le të vërejmë SHOQËRUESIT E DREJTËSIMIT TË ABRAMIT.
Me Biblat tuaja të hapura, vini re me mirësi se pasi është shkruar se besimi iu numërua atij për drejtësi, është e shënuar se Zoti i tha, “Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend”. Kur shpirti është i mundësuar hirshëm të dallojë drejtësimin e tij të plotë me anë të besimit, atëherë ai e dallon më qartë thirrjen e tij. Tani, besimtari dallon ndarjen e tij të privilegjuar dhe dallon pse ai u bind për mëkat, pse u udhëhoq larg vetë-drejtësisë dhe kënaqësive të kësaj bote, për të jetuar jetën e besimit; tani ai shikon thirrjen e tij qiellore dhe çmimin e saj, dhe prej bekimit të vetëm të drejtësimit ai provon bekimet e të gjithë trashëgimisë për të cilën ai është thirrur. Sa më i kthjellët është një njeri në lidhje me drejtësimin e tij aq më shumë do ta çmojë thirrjen e tij dhe aq më me zell ai do të kërkojë ta bëjë atë të sigurt duke përkryer ndarjen e tij prej botës dhe përputhjen e tij me Zotin. A jam një njeri i drejtësuar ? Atëherë unë nuk do të kthehem sërish te ai skllavërim ku një herë isha rob i lidhur. A jam tani i pranuar nga Perëndia me anë të besimit? Atëherë nuk do të jetoj më gjatë me anë të shikimit, siç bënte më përpara njeriu i mishit, kur nuk e kuptoja pushtetin e të besuarit në Perëndinë e padukshëm. Një hir i krishterë ndihmon një tjetër dhe një akt i hirit hyjnor pasqyrohet te një tjetër. Thirrja shkëlqen me dyfish lavdi krah për krah me yllin binjak të drejtësimit.
Besimi drejtësues merr më me forcë premtimet. “Të kam nxjerrë,” thotë Zoti, ” për të ta lënë si trashëgimi këtë vend.” Atij ju soll në mendje përsëri premtimi që Perëndia i kishte bërë më parë. Të dashur, asnjë njeri nuk i lexon premtimet e Perëndisë me një ëndje të tillë dhe me një kuptim të tillë të qartë sa njeriu që është i drejtësuar me anë të besimit në Krishtin Jezus. “Sepse tani,” thotë ai, “ky premtim është imi dhe është për mua.” Kam zotimin e përmbushjes së tij në faktin se unë eci nën favorin e Perëndisë. Nuk jam më nën zemërimin e Tij; askush nuk mund të më akuzojë për ndonjë gjë, sepse jam i shlyer me anë të Jezu Krishtit; dhe prandaj, nëse kur isha një mëkatar Ai më drejtësoi, aq më tepër, duke qenë i drejtësuar, Ai do ta mbajë premtimin që më ka bërë. Nëse kur isha një rebel i dënuar, Ai prapëseprapë në mëshirën e Tij të përjetshme më thirri dhe më solli në këtë gjendje pranimi, aq më shumë Ai do të më ruajë nga armiqtë e mi dhe do të më japë trashëgiminë që Ai ka premtuar me anë të besëlidhjes së Tij të hirit. Një kuptim i qartë i drejtësimit të ndihmon shumë në mbërthimin e premtimit, prandaj kërkoje atë me zell për ngushëllimin e shpirtit tënd.
Abrami, mbasi u drejtësua me anë të besimit, u pri më dallueshëm për të parë fuqinë e flijimit. Me anë të porosisë së Perëndisë ai vrau tre dema, tre dhi, tre qengja, turtuj e pëllumba, të gjitha këto si krijesat e caktuara për flijimin. Duart e patriarkut janë të njollosura me gjak; ai mban në duar thikën e kasapit, ai ndan në mes kafshët, vret zogjtë, i vendos sipas një rregulli që i është zbuluar nga Fryma e Perëndisë në atë kohë; ja ku janë. Abrami mëson se nuk ka takim me Perëndinë përveçse me anë të flijimit. Perëndia ka mbyllur çdo derë përveç asaj mbi të cilën gjaku është i spërkatur. Çdo afrim i pranueshëm për Perëndinë duhet të jetë me anë të një flijimi shlyes dhe Abrami e kupton këtë. Ndërsa premtimi i jehon akoma në vesh, ndërsa boja është akoma e njomë në penën e Frymës së Shenjtë, duke e shënuar atë si të drejtësuar, ai duhet ta shohë flijimin dhe ta shikojë atë gjithashtu, në emblema që përfshijnë të gjithë zbulimin e flijimit që iu bë Aronit. Kështu, vëllezër, është një gjë e bekuar kur besimi juaj ju drejtëson, nëse ju ndihmon të fitoni pamje më të gjalla e më të plota të flijimit shlyes të Jezu Krishtit. Ajri më i pastër dhe më i shëndetshëm për frymëmarrjen është në Kalvar. Nuk habitem nëse besimi juaj dobësohet kur ju dështoni të merrni mirë në konsideratë flijimin e tmerrshëm që Jezusi kreu për popullin e Tij. Kthehuni te analet e vuajtjeve të Shpenguesit që na janë dhënë në Ungjij; përkuluni në lutje përpara Qengjit të Perëndisë, skuquni tek mendoni se mund ta keni harruar për një çast vdekjen e tij që është qendra e të gjithë historisë; soditni dhe një herë tjetër marrëveshjen e mrekullueshme të zëvendësimit dhe atëherë besimi juaj do të rigjallërohet. Nuk është studimi i teologjisë, nuk është leximi i librave mbi pika objekt polemike, nuk është hulumtimi i profecive misterioze që do të bekojë shpirtin tuaj, është të shikosh te Jezusi i kryqëzuar. Ky është ushqimi thelbësor i jetës së besimit dhe kujdesuni që të vazhdoni ta bëni këtë gjë. Si një njeri tashmë i drejtësuar Abrami shikoi te sakrifica për gjatë gjithë ditës dhe deri sa dielli perëndoi, duke përzënë zogjtë grabitqarë po ashtu si edhe ju duhet të largoni çdo mendim turbullues. Po ashtu edhe ju duhet të studioni Zotin Jezus dhe ta shikoni Atë në të gjithë atributet dhe ofiqet e Tij, mos jini të kënaqur përveçse kur rriteni në hir dhe në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht.
Ndoshta edhe më i rëndësishëm ishte mësimi i mëpasshëm që Abrami pati për të mësuar. Ai u pri të shikonte besëlidhjen. Ma merr mendja se këto pjesë të demit, qengjit, dashit dhe dhisë, ishin të vendosura në mënyrë të tillë që Abrami qëndroi në mes me një pjesë në një anë dhe me pjesën tjetër në anën tjetër. Kështu që ai qëndroi si një adhurues përgjatë gjithë ditës dhe gjatë rënies së natës, kur një tmerr errësire të madhe ra mbi të, ai ra në një gjumë të thellë. Kush nuk do të ndjente një llahtari që e përshkon teksa sheh flijimin e madh për mëkatin dhe e shikon vetveten të përfshirë aty brenda? Atje në mes të flijimit ai pa, duke lëvizur me një lëvizje solemne, një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar të zjarrtë, që i përgjigjet shtyllës së resë dhe të zjarrit, që i shfaqte Izraelit praninë e Perëndisë në ditët e mëvonshme në shkretëtirë. Në këto emblema Zoti kaloi përmes pjesëve të flijimit për të takuar shërbëtorin e tij dhe për të hyrë në besëlidhje me të. Kjo ka qenë përherë mënyra më solemne e lidhjes së besëlidhjes dhe është përdorur nga kombet pagane në raste solemniteti të pazakonshme. Flijimi është i ndarë dhe të dy palët u takuan mes pjesëve të ndara. Interpretimi jobesimtar ishte se ata iu betuan njeri tjetrin se nëse do të thyenin besëlidhjen do të mallkoheshin dhe do të ndaheshin copa copa ashtu si kafshët, por ky nuk është interpretimi që kënaq zemrën tonë. Është ky. Është vetëm përmes flijimit që Perëndia mund të hyjë në një marrëdhënie besëlidhje me një njeri mëkatar. Perëndia vjen në lavdinë e Tij si një flakë zjarri, por i zbutur dhe i ndryshuar ndaj nesh në një re tymi në personin e Jezu Krishtit; dhe Ai vjen përmes flijimit të përgjakur që është kryer një herë e gjithmonë me anë të Jezusit mbi dru. Njeriu takohet me Perëndinë në mes të flijimit të Krishtit. Tani, i dashur, ti që je i drejtësuar, përpiqu këtë mëngjes për të arritur këtë privilegj që të përket posaçërisht ty në këtë çast të historisë tënde shpirtërore. Njih dhe kupto se Zoti është në lidhje besëlidhje me ty. Ai ka bërë një besëlidhje hiri me ty që nuk mund të thyhet kurrë: mëshirat e sigurta të Davidit janë pjesa jote. Kjo besëlidhje është e këtij lloji, “Do t`ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri. Ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.” Kjo besëlidhje është bërë me ju mbi trupin e vrarë të Birit të Perëndisë. Zoti dhe ju kryqëzoni duart mbi Të që djersit përtokë, pika të mëdha gjaku! Zoti na pranon dhe ne hyjmë me Të në një aleancë të shenjtë dhe miqësi, dhe plagët dhe vdekja e flijimit ratifikojnë paktin. A mund vallë Perëndia të harrojë një besëlidhje me betime të tilla? A mund vallë një lidhje e tillë bashkimi kaq solemnisht e vulosur të thyhet? E pamundur. Njeriu i qëndron ndonjëherë besnik betimit të tij, por Perëndia është gjithmonë besnik; dhe kur ai betim konfirmohet për forcimin e besimit tonë me anë të gjakut të të Vetëmlindurit, ta dyshosh është tradhti dhe blasfemi. Perëndia na ndihmoftë, si të drejtësuar që jemi, për të pasur besim në besëlidhjen që është e vulosur dhe e ratifikuar me gjak!
Menjëherë më pas, Perëndia i bëri Abramit (dhe këtu analogjia akoma qëndron) një zbulim, se i gjithë bekimi që ishte premtuar, edhe pse ishte me siguri i tij, nuk do të vinte pa një periudhë vështirësish. “Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet.” Kur një njeri vjen fillimisht te Krishti ai shpesh është aq i paditur sa mendon, “Tani telashet dhe vështirësitë e mia kanë përfunduar; kam ardhur te Krishti dhe jam i shpëtuar, që prej kësaj dite nuk do të bëj gjë tjetër veçse do të këndoj lavditë e Perëndisë.” Sa keq! Konflikti mbetet. Ne duhet ta dimë me siguri se beteja pikërisht tani fillon. Sa shpesh ndodh që Zoti, në mënyrë që të edukojë fëmijën e tij në lidhje me vështirësinë e ardhshme, gjen rastin atëherë kur drejtësimi i tij është shumë i qartë për t’i bërë të ditur se atë e presin telashe dhe vështirësi? U godita me këtë fakt kur po lexoja për ngushëllimin tim natën e mëparshme kapitullin e pestë të Romakëve; thuhet kështu—”Të shfajësuar (të drejtësuar) pra me anë të besimit kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.” Shiko se sa butë rrjedh, drejtësimi derdh vajin e gëzimit mbi kokën e besimtarit. Por çfarë thotë vargu i mëpasshëm—”dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,” dhe vazhdon më tej. Drejtësimi siguron shtrëngime! Oh! Po, besëlidhja është e juaja; ju do të zotëroni vendin e mirë dhe Libanin, por ashtu si gjithë pasardhja e Abrahamit ju duhet të shkoni në Egjipt dhe të gulçoni nga barra e rëndë. Të gjithë shenjtorët duhet të kalojnë dhembje përpara se të këndojnë; ata duhet të mbajnë kryqin përpara se të vënë kurorën. Ti je një njeri i drejtësuar, por nuk je pa shtrëngime. Mëkatet e tua u vunë mbi Krishtin, por ke akoma kryqin e Krishtit për të mbajtur. Zoti të ka përjashtuar nga mallkimi,por Ai nuk të ka përjashtuar nga ndreqja. Mëso se ti hyn në disiplinën e fëmijëve në atë ditë kur hyn në gjendjen e tyre të pranuar.
Për të mbyllur të gjithën, Zoti i dha Abramit një siguri suksesi përfundimtar. Ai do ta sillte pasardhjen e tij në tokën e premtuar dhe populli që do t’i shtypte do të gjykohej nga Ai. Kështu, le të jetë si një zbulim i ëmbël për çdo njeri besimtar këtë mëngjes se në fund ai do të triumfojë dhe ata djajtë që tani po e shtypin do të gjenden nën këmbën e tij. Zoti do ta dërmojë së shpejti Satananë nën këmbët tona. Ne mund të jemi skllevër në Egjipt për pak kohë, por ne do të dalim nga aty me një bollëk të madh pasurish të vërteta, më të mira se sa ari dhe argjendti. Ne do të pasurohemi prej shtrëngimeve dhe sprovave tona. Prandaj le të gëzohemi. Nëse mëkati është i falur, ne mund ta mbajmë mirë shtrëngimin. “Godit Zot,” thotë Luteri, “tani mëkatet e mia kanë shkuar; godit aq fort sa të duash nëse shkelja është e mbuluar.” Vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne! Le të përkujdesemi pra së pari të jemi të drejtësuar me pasardhjen e Abrahamit dhe më pas nëse qëndrojmë në Egjipt ose gëzojmë paqen e Kanaanit, pak rëndësi ka, ne jemi të gjithë të sigurt nëse jemi vetëm të drejtësuar me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. Miq të shtrenjtë, edhe kjo fjalë e fundit dhe mund të largoheni. A keni besuar në Perëndinë? A i keni besuar Krishtin? Oh sikur ta bënit sot! Të besosh se Perëndia flet të vërtetën nuk duhet të jetë e vështirë; dhe nëse nuk do të ishim kaq shumë të ligj, nuk do të qe e nevojshme të urdhëroheshim, do ta bënim atë natyrshëm. Të besosh se Krishti është i aftë të na shpëtojë, më duket se është shumë e lehtë dhe ashtu do të ishte nëse zemrat tona nuk do të ishin aq të ngurta. Besoi Perëndisë tënd o njeri, dhe kjo mos të duket gjë e vogël. Fryma e Shenjtë të udhëheqtë në një mirëbesim të vërtetë. Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që Ai ka dërguar. Beso se Biri i Perëndisë mund të të shpëtojë dhe jepja veten vetëm Atij dhe Ai do të të shpëtojë. Ai nuk kërkon gjë tjetër përveçse besim dhe edhe këtë Ai ta jep ty; dhe nëse e ke këtë, të gjitha dyshimet dhe mëkatet e tua, sprovat dhe telashet të vëna së bashku, nuk do të të lënë jashtë parajsës! Perëndia do ta përmbushë premtimin e Tij dhe me siguri do të të sjellë të zotërosh vendin ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.