E vërteta e vjetër!
“Të vërtetën e vjetër që Kalvini predikoi, që Augustini predikoi, që Pali predikoi, është e vërteta që duhet të predikoj sot, ose përndryshe do të isha i pabesë ndaj ndërgjegjes dhe Perëndisë tim. Nuk mund t’i jap dot formë të vërtetës; nuk di gjë të tillë të limoj cepat e ashpër të një doktrine. Ungjilli i Gjon Noksit është ungjilli im. Ç’ka ushtoi përmes Skocisë duhet të ushtojë përmes Anglisë përsëri.”
C.H.Spurgeon
MBROJTJE E KALVINIZMIT
{NGA C.H.SPURGEON}
Është një gjë e madhe të fillosh jetën e krishterë duke besuar doktrinë të mirë të qëndrueshme. Disa njerëz kanë marrë njëzet “ungjij” të ndryshëm në po aq vite;se sa do të pranonin më shumë përpara se të mbërrijnë në fundin e udhëtimit të tyre, do të ishte e vështirë ta parashikoje. Falënderoj Perëndinë që më mësoi herët ungjillin dhe jam kënaqur kaq përsosur me të sa nuk dua të njoh ndonjë tjetër. Ndryshimi i vazhdueshëm i kredos është një humbje e sigurtë. Nëse një pemë do të shkulej dy ose tre herë ne vit, nuk keni nevojë të keni ndonjë hapësirë shumë të madh ku të ruani frutat. Kur njerëzit janë duke ndryshuar përherë parimet e tyre doktrinale, nuk mund të japin shumë fryte për lavdinë e Perëndisë. Është mirë për besimtarët e rinj të fillojnë me një mbërthim të fuqishëm të këtyre doktrinave të mëdha themelore që Zoti ka mësuar në Fjalën e Tij. Nëse sikur të besoja atë çfarë disa predikojnë në lidhje me shpëtimin e përkohshëm, shpëtim i pavlerë që zgjat vetëm për një kohë, zor se do të isha mirënjohës për të, por kur e di se ata që Perëndia shpëton, Ai i shpëton me një shpëtim të përjetshëm, kur e di se i jep atyre një drejtësi të përjetshme, kur e di se Ai i vendos ata mbi një themel të përjetshëm dashurie të përjetshme dhe se do t’i sjellë në mbretërinë e Tij të përjetshme, oh, atëherë mrekullohem me të vërtetë dhe jam i habitur se një bekim i tillë si ky të mund të më jetë dhënë mua!
“Ndalu, shpirti im! Adhuro dhe mrekullohu!
Pyet, “Oh, pse një dashuri të tillë për mua?”
Hiri më ka llogaritur në numrin e familjes së Shpëtimtarit:
Alelujah!
Faleminderit, falënderime të përjetshme për Ty!”
Ma merr mendja se ka disa persona me mendje që përkulen natyrshëm ndaj doktrinës së vullnetit të lirë. Mund të them vetëm se mendja ime përkulet po aq natyrshëm drejt doktrinave të hirit sovran. Ndonjëherë, kur shikoj disa prej karaktereve më të këqij në rrugë, ndjehem sikur zemra ime do të shpërthejë në lot mirënjohjeje se Perëndia nuk më ka lënë kurrë të veproj ashtu si ata kanë vepruar! Kam menduar, nëse Perëndia do të më kishte lënë vetëm dhe nuk do të më kishte prekur me Hirin e Tij, çfarë mëkatari i madh do të kisha qenë! Do të kisha vrapuar në mëkat kokë e këmbë, do të isha zhytur në thellësitë më të mëdha të të ligës dhe as nuk do të isha ndalur përpara asnjë ceni ose çmendurie nëse Perëndia nuk do të më kishte përmbajtur. Ndjej se do të kisha qenë një mbret i vërtetë mëkatarësh, nëse Perëndia do të më kishte lënë vetëm. Nuk mund të kuptoj arsyen pse jam shpëtuar, përveçse prej faktit se kështu deshi Perëndia. Nuk mund, edhe sikur të kërkoj me zell, të zbuloj ndonjë lloj arsye në vetvete pse duhet që të jem një pjesëmarrës i hirit Hyjnor. Nëse nuk jam në këtë çast pa Krishtin, është vetëm sepse Krishti Jezus deshi të bënte vullnetin e Tij në lidhje me mua dhe ky vullnet ishte se duhet që të jem me Të atje ku Ai është dhe duhet që të ndaj lavdinë e Tij. Nuk mund ta vë kurorën asgjëkund përveçse mbi kokën e Atij që me hirin i fuqishëm më shpëtoi prej së shkuari poshtë në gropë.
Duke vështruar mbrapa në jetën time të kaluar, mund të shikoj se agimi i të gjithë asaj vinte prej Perëndisë;prej Perëndisë me efektshmëri. Nuk mora pishtar me të cilin të ndizja diellin, por dielli më ndriçoi. Nuk isha unë ai që fillova jetën shpirtërore—jo, përkundrazi, unë shqelmova dhe luftova kundra gjërave të Frymës; kur Ai me tërhiqte, për një farë kohe nuk vrapova mbas Tij; kishte një urrejtje të natyrshme në shpirtin tim për çdo gjë të shenjtë dhe të mirë. Dashamirësitë u shprehën kot për mua—paralajmërimet i mori era—gjëmimet u përçmuan;dhe përsa i përket pëshpërimave të dashurisë së Tij, ato u hodhën poshtë si kotësi dhe më pak se asgjë, por jam i sigurtë, mund të them tani, duke folur për veten time, “Ai vetëm është shpëtimi im.” Ishte Ai që ktheu zemrën time dhe më solli poshtë në gjunjë përpara Tij. Me të vërtetë mund të them bashkë me Dodrixhin dhe Topladin —
“Hiri mësoi të lutej shpirtin tim
Dhe bëri sytë e mi të mbusheshin me lot;”
Dhe në këtë çast, mund të shtoj—
“Është hiri ai që më ka ruajtur deri tanimë,
dhe nuk do të më lërë për jetë e mot.”
E mbaj mend mirë mënyrën se si mësova doktrinat e hirit në një çast të vetëm. I lindur,ashtu si ne të gjithë prej natyre, arminian, akoma besoja gjërat e vjetra që pata dëgjuar vazhdimisht prej predikatores dhe nuk e shikoja dot hirin e Perëndisë. Kur po vija te Krishti, mendova se isha duke e bërë të gjithën unë dhe edhe pse kërkoja Zotin me zell, nuk ma priste mendja se Zoti po më kërkonte. Nuk mendoj se i riu i kthyer në besim është në fillim i ndërgjegjshëm për këtë. Mund të sjell në mendje ditën dhe orën kur së pari mora këto të vërteta në vetë shpirtin tim—kur ato ashtu si thotë Gjon Buniani , u vulosën në zemrën time si me një hekur të nxehtë dhe më kujtohet se si e ndjeva që isha rritur papritur nga një fëmijë në një burrë—se pata bërë përparim në njohurinë e Shkrimit, duke gjetur kështu, një herë e përgjithmonë, fillin e të vërtetës së Perëndisë.
Një natë, kur po ulesha në shtëpinë e Perëndisë, nuk po mendoja dhe aq për predikimin e predikuesit, sepse nuk e besoja. Mendimi më goditi, si vallë u bëre i krishterë? Kërkova Zotin. Mirëpo si vallë të ndodhi të kërkoje Zotin? E vërteta vetëtiu në mendjen time në një çast—nuk do ta kisha kërkuar Atë nëse nuk do të kishte pasur ndonjë ndikim të mëparshëm në mendjen time për të më bërë ta kërkoj Atë. U luta, mendova, por më pas pyeta veten, si vallë më ndodhi të lutem? U shtyva të lutesha duke lexuar Shkrimet. Si më ndodhi vallë të lexoj Shkrimet? Me të vërtetë që i lexova, por çfarë më shtyu të bëj kështu? Më pas, në një çast, pashë se Perëndia ishte mbrapa gjithë kësaj dhe se Ai ishte Autori i besimit tim; kështu e gjithë doktrina e hirit u hap për mua, prej kësaj doktrine nuk jam larguar deri më sot dhe dëshiroj ta bëj këtë rrëfimin tim të vazhdueshëm, “Ia ngarkoj të gjithë ndryshimin tim Perëndisë.”
Një herë isha i pranishëm në një shërbesë ku teksti qëlloi të jetë, “Ai do të zgjedhë trashëgiminë tonë për ne;” dhe njeriu i mirë që zinte predikatoren ishte më shumë se thjesht një arminian. Prandaj, kur filloi, ai tha, “Kjo pjesë ka të bëjë tërësisht me trashëgiminë tone tokësore, nuk ka të bëjë fare me fatin tonë të përjetshëm, sepse, “tha ai, “ne nuk kemi nevojë që Krishti të zgjedhë përsa i përket çështjes së Qiellit ose ferrit. Është kaq e qartë dhe e lehtë, se çdo njeri që ka sado pak gjykim të shëndoshë do të zgjedhë Qiellin dhe çdo njeri do të dijë më mirë se sa të zgjedhë ferrin. Nuk kemi nevojë për ndonjë inteligjencë të epërme, ose për ndonjë Qenie të epërme për të zgjedhur Qiellin ose ferrin për ne. I është lënë vetë vullnetit tonë të lirë dhe na është dhënë mjaftueshëm urtësi, aftësi të duhura të mjaftueshme për të gjykuar për veten,” dhe prandaj, sipas përfundimit të tij logjik, nuk kishte nevojë që Jezu Krishti, ose ndonjëri, të bënte një zgjedhje për ne. Ne mund ta zgjedhim trashëgiminë për vetën tonë pa ndonjë ndihmë. “Ah!” mendova, “por, im vëlla i dashur, mund të jetë shumë e vërtetë se ne mund, por mendoj se kemi nevojë për diçka më shumë se gjykimi i shëndoshë përpara se të zgjedhim ashtu si duhet.”
Së pari, më lejo të të pyes, a nuk duhet që ne të gjithë të pranojmë një Provani qeverisëse dhe vendimin e dorës së Jehovait, përsa i përket mënyrave se si erdhëm në këtë botë? Ato njerëz që mendojnë se më pas ne i lihemi vullnetit të lirë për të zgjedhur këtë ose atë për të drejtuar hapat tona, duhet të pranojnë se hyrja jonë në këtë botë nuk ishte prej vullnetit tonë, por se Perëndia pati zgjedhur atëherë për ne. Cilat ishin vallë ato rrethana nën pushtetin tonë që na çuan të zgjidhnim prindërit tanë? A kishim të bënim ndonjë gjë me këtë? A nuk qe vetë Perëndia që caktoi prindërit tanë, vendlindjen dhe miqtë? A nuk do të mundte Ai të kishte bërë që të lindja në ndonjë fis indigjenësh, i rritur prej një nëne të fëlliqur që do të më kishte ushqyer në kasollen e saj dhe që do të më kishte mësuar të përkulesha poshtë përpara perëndive pagane, po aq lehtë sa më dha një nënë të përshpirtshme, që do të përkulte gjurin e saj në lutje për mua çdo mëngjes dhe mbrëmje? Ose, a nuk do të kishte mundur Ai, nëse do t’i kishte pëlqyer, të më kishte dhënë për prindër ca të shthurur, prej buzëve të së cilëve do të mund të kisha dëgjuar që në fëmijëri të folur të turpshme, të fëlliqur dhe të frikshme? A nuk do mundte Ai të më kishte vendosur atje ku mund të kisha pasur një baba pijanec, që do të më kishte burgosur në një birucë të vërtetë padijeje dhe do të më kishte rritur ne zinxhirët e krimit? A nuk ishte vallë provania e Perëndisë që pata një risk të tillë kaq të lumtur, që të dy prindërit e mi ishin fëmijët e Tij dhe se që të dy u përpoqën të më rrisin në frikën e Zotit?
Gjon Njutoni e kishte për zakon të tregonte një histori të habitshme dhe qeshte prej saj, të një gruaje të mirë që thoshte me qëllim që të provonte doktrinën e zgjedhjes, “Ah!zotëri, Zoti patjetër që duhet të më ketë dashur përpara se të lindja, ose përndryshe Ai nuk do të kishte parë ndonjë gjë në mua për të më dashur më pas.” Jam i sigurtë se është e vërtetë në rastin tim; e besoj doktrinën e zgjedhjes sepse jam më se i sigurtë se, nëse Perëndia nuk do të më kishte zgjedhur, nuk do ta kisha zgjedhur kurrë Atë; dhe jam i sigurtë se Ai më zgjodhi përpara se të lindja, ose përndryshe Ai nuk do të më kishte zgjedhur kurrë më pas; dhe Ai patjetër që duhet të më ketë zgjedhur për arsye të panjohura për mua, sepse nuk mund të gjej kurrë ndonjë arsye në vetvete se pse Atij iu desh të hidhte sytë te mua me një dashuri të veçantë. Kështu që jam i shtrënguar të pranoj atë doktrinë të madhe biblike. Më kujtohet një vëlla arminian duke më thënë se pati lexuar Shkrimet gjerë e gjatë shumë herë dhe nuk mund të gjente kurrë doktrinën e zgjedhjes në to. Shtoi se ishte i sigurtë se do ta kishte gjetur sikur të ndodhej aty brenda, sepse ai e lexoi Fjalën në gjunjë.
I thashë, “mendoj se e lexon Biblën në një qëndrim shumë të parehatshëm dhe nëse do ta kishe lexuar i ulur rehat në karrige, do të kishe pasur më shumë mundësi ta kuptoje atë. Lutu, në çdo mënyrë dhe sa më shumë aq më mirë, por është besëtytni të mendosh se ka ndonjë gjë në qëndrimin në të cilin një njeri e vendos veten për të lexuar; dhe përsa i përket leximit sa gjerë e gjatë të Biblës njëzet herë pa gjetur asgjë në lidhje me doktrinën e zgjedhjes, është për t’u ngritur pyetja se a ke gjetur aty ndonjë gjë apo jo; medoemos që ke galopuar përgjatë tij me një shpejtësi të tillë sa nuk mund të kishe një ide të dallueshme të domethënies së Shkrimeve.” Nëse do të ishte e mrekullueshme të shikoje një lum të kërcente prej tokës me hov plot e përplot, çfarë do të ishte vallë po të vështroje një burim të madh prej se cilit të gjithë lumenjtë e tokës të gurgullonin lart menjëherë, një milion prej tyre të lindur ne çast? Çfarë vizioni që do të ishte! Kush mund ta përftojë atë dot. Prapëseprapë dashuria e Perëndisë është ai burim, prej së cilit të gjithë lumenjtë e mëshirës, që kanë gëzuar që në fillim racën tone—të gjithë lumenjtë e hirit tani dhe të lavdisë më pas—ngrihen lart.
Shpirti im, qëndro në atë krye burim të shenjtë dhe adhuro dhe madhëro, përherë e përherë Perëndinë, po, Atin tonë që na deshi! Në fillim fare, kur ky univers i madh qëndronte në mendjen e Perëndisë, si pyje të paçelur akoma përbrenda një lende dushku; shumë përpara se jehonat të zgjonin vetminë; përpara se malet të krijoheshin dhe shumë më përpara se shkreptima të vetëtinte përmes qiellit, Perëndia deshi krijesat e Tij të zgjedhura. Përpara se të kishte ndonjë qenie të krijuar—kur eteri nuk ishte rrahur prej krahut të një engjëlli, kur vetë hapësira nuk ekzistonte, kur nuk kishte asgjë përveç Perëndisë vetëm—edhe atëherë, kur ekzistonte veç Hyjnia dhe në atë qetësi dhe urtësi të thellë, të përbrendshmet e Tij u trazuan me dashuri për të zgjedhurit e Tij. Emrat e tyre ishin të shkruar në zemrën e Tij dhe më pas ata ishin tejet të shtrenjtë për shpirtin e Tij. Jezusi e deshi popullin e Tij përpara themelimit të botës—madje që prej përjetësisë! dhe kur Ai më thirri me anë të hirit të Tij, Ai më tha, “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.” Më pas, në kohën e duhur, Ai më bleu me gjakun e Tij; Ai e derdhi zemrën e Tij për mua nga një plagë e thellë e hapur shumë më përpara se ta doja Atë. Po, kur Ai së pari erdhi te mua, a nuk e hodha poshtë me përbuzje? Kur Ai trokiti në derën time dhe kërkoi të hyjë brenda, a nuk e dëbova vallë dhe a nuk e përçmova hirin e Tij? Ah, mund ta kujtoj se bëra plotësisht ashtu derisa, së fundmi, me anë të fuqisë së hirit të Tij të efektshëm, Ai tha, “duhet, do të hyj brenda;” dhe më pas Ai ktheu zemrën time dhe më bëri që ta dua Atë. Mirëpo madje edhe deri tani do t’i kisha rezistuar Atij, sikur të mos kishte qenë prej hirit të Tij.
Mirë pra, përderisa Ai më bleu mua kur isha i vdekur ne mëkate, a nuk rrjedh si rrjedhojë e nevojshme dhe logjike se Ai duhet të më ketë dashur i pari? A vdiq Shpëtimtari im për mua sepse besova në Të? Jo; atëherë nuk ekzistoja akoma; nuk kisha qenie atëherë. Prandaj, pra, a mund Shpëtimtari që të ketë vdekur sepse pata besim, kur vetë unë nuk isha lindur akoma? A mund të ketë qenë e mundur kjo? A mund të ketë qenë kjo origjina e dashurisë së Shpëtimtarit tim ndaj meje? Oh! jo; Shpëtimtari im vdiq për mua shumë më përpara se të besoja. “Por,” po thotë ndonjëri, “Ai e parashikoi se do të kishe besim; dhe prandaj, Ai të deshi.” Po çfarë Ai parashikoi në lidhje me besimin tim? A parashikoi se vetë do ta merrja atë besim dhe se do të besoja vetë te Ai? Jo; Krishti nuk ka mundësi ta ketë parashikuar atë, sepse asnjë besimtar i krishterë nuk mund të thotë ndonjëherë se besimi erdhi vetë pa dhurimin dhe pa veprën e Frymës së Shenjtë. Kam takuar shumë besimtarë dhe kam folur me to ne lidhje me këtë çështje, por kurrë nuk kam njohur ndonjë që mund të vendoste dorën e tij mbi zemër dhe të thoshte, “Besova në Jezusin pa ndihmën e Frymës së Shenjtë.” Jam i lidhur me doktrinën e zvetënimit të zemrës njerëzore sepse me duket vetja kaq i fëlliqur në zemër dhe kam prova të përditshme se në mishin tim nuk ka gjë asgjë të mirë.
Nëse Perëndia hyn në një besëlidhje me një njeri që nuk ka rënë, njeriu është kaq krijesë e pavlerë sa kjo besëlidhje duhet të vijë prej një akti begenisje të hirshme nga ana e Perëndisë, por nëse Perëndia hyn në besëlidhje me njeriun mëkatar, ai është atëherë kaq krijesë shkelëse sa kjo besëlidhje duhet të vijë, nga ana e Perëndisë, si një akt hiri sovran, i pasur, falas dhe i pastër. Kur Zoti hyri në besëlidhje me mua, jam i sigurtë se ishte gjithçka prej hirit, asgjë tjetër përveç hirit. Kur kujtoj se çfarë strofull kafshësh dhe shpendësh të papastra që ishte zemra ime dhe sa i fortë ishte vullneti im i papërtëritur, sa kokëfortë dhe rebel kundra sovranitetit të rregullës hyjnore, ndjehem gjithmonë i prirur të zë dhomën më të ulët në shtëpinë e Atit tim dhe kur të hyj në Qiell do të jem mes më të vegjëlve mes më të vegjëlve nga të gjithë shenjtorët dhe me kryemëkatarin e mëkatarëve. I ndjeri zoti Denham ka vendosur, poshtë portretit të tij një tekst shumë të admirueshëm, “Shpëtimi i përket Zotit.” Kjo është veçse një epitomë e kalvinizmit; është shuma dhe thelbi i tij. Nëse ndonjëri do të më pyeste se çfarë dua të them me kalvinist,do të përgjigjem, “Ai është ai që thotë, Shpëtimi i përket Zotit.”
Nuk mund të gjej në Shkrim ndonjë doktrinë tjetër nga kjo. Është thelbi i Biblës. “Vetëm Ai është kështjella ime dhe shpëtimi im.” Më thuaj ndonjë gjë të kundërt me këtë të vërtetë dhe do të jetë një herezi; më thuaj një herezi dhe do të gjej thelbin e saj në faktin se është larguar prej këtij shkëmb-vërtetësie themelor, “Ai është kështjella ime dhe shpëtimi im.” A nuk është herezia e Romës shtimi i diçkaje meritave të përkryera të Jezu Krishtit—pjesëmarrja e veprave të mishit për të ndihmuar në shfajësimin tonë? Dhe çfarë është herezia e arminianizmit përveçse shtimi i diçkaje veprës së Shpëtimtarit? Çdo herezi, nëse sillet te guri i provës, do ta zbulojë veten këtu. Kam vetë opinionin tim personal se nuk mund të jetë e mundur të predikosh Krishtin dhe Atë të kryqëzuar, nëse nuk predikojmë atë çfarë në ditët tona quhet kalvinizëm. Është nofkë ta quash atë kalvinizëm; kalvinizmi është ungjilli dhe asgjë tjetër. Nuk mund ta besoj se mund të predikojmë ungjillin, nëse nuk predikojmë shfajësimin me anë të besimit, pa vepra; po ashtu nëse nuk predikojmë sovranitetin e Perëndisë në dhënien e hirit të Tij; po ashtu nëse nuk lartësojmë dashurinë zgjedhëse, të pandryshueshme, të përjetshme, të paluhatshme, fitimtare të Jehovait; po ashtu nuk mendoj se mund të predikojmë ungjillin nëse nuk e bazojmë atë mbi shpëtimin e veçantë dhe të posaçëm të të zgjedhurve dhe popullit të Tij të zgjedhur që Krishti kreu mbi kryq; po ashtu nuk mund të kuptoj një ungjill që lë të shenjtët të bien përfundimisht mbasi janë thirrur dhe që lejon fëmijët e Perëndisë të digjen në zjarret e mallkimit mbasi kanë besuar një herë në Jezus. Një ungjill të tillë e kam neveri.
“Sikur delet e Krishtit të binin përfundimisht,
shpirti im i dobët levarash, sa keq!
do të binte një mijë herë në ditë.”
Sikur një prej shenjtorëve të shtrenjtë të Perëndisë të kishte vdekur,të gjithë mund të kenë vdekur; nëse një prej njerëzve të besëlidhjes të ketë humbur,të gjithë mund të humbasin; dhe më pas nuk ka premtim të vërtetë të ungjillit, por Bibla është një gënjeshtër dhe nuk ka asgjë në të që ia vlen të pranohet. Do të isha menjëherë një tradhtar nëse do të besoja se një shenjtor i Perëndisë mund të bjerë me të vërtetë përfundimisht. Nëse Perëndia më ka dashur një herë, atëherë Ai do të më dojë përherë. Perëndia është arkitekti; Ai rregulloi gjithçka në intelektin e Tij gjigant shumë më përpara se ta kryente; dhe mbasi e ka vendosur, Ai kurrë nuk ndryshon, “Kjo do të bëhet,” thotë Ai dhe dora e hekurt e fatit e shënon dhe bën që të ndodhi. “Ky është qëllimi Im,” dhe qëndron, as toka as ferri nuk mund ta ndryshojë atë. “Ky është dekreti Im,” thotë Ai, “shpalleni atë, ju engjëj të shenjtë; silleni poshtë copa copa prej portës së Qiellit, ju djaj, nëse mundni, por nuk mund të ndryshoni dekretin, do të qëndrojë përherë.”
Perëndia nuk ndryshon planet e Tij; e pse do t’i ndryshonte? Ai është i Plotfuqishëm dhe prandaj mund të veprojë sipas kënaqësisë së Tij. E pse do t’i ndryshonte? Ai është i Gjithëditur dhe prandaj nuk mund të ketë planifikuar gabim. E pse do t’i ndryshonte? Ai është Perëndia i përjetshëm dhe prandaj nuk mund të vdesë përpara se plani i Tij të përmbushet. E pse Ai duhet të ndryshojë vallë? Ju atome të pavlera të tokës, krijesa të përkohshme, ju insekte zvarranike mbi gjethe dafinën e thatë të ekzistencës, ju mund të ndryshoni planet e tuaja, por Ai nuk do të ndryshojë kurrë, kurrë, planet e Tij. A më ka thënë se plani i Tij është për të më shpëtuar? Atëherë pra, unë jam përherë i sigurtë.
“Emrin tim prej pëllëmbëve të duarve të Tij
përjetësia nuk do ta fshijë;
i shtypur në zemrën e Tij qëndron,
në shenja hiri të pashlyeshme.”
Nuk e di se si disa njerëz që besojnë se një i krishterë mund të humbasë hirin, ia dalin të jenë të lumtur. Duhet të ketë diçka shumë të lavdërueshme në to për të qenë të aftë ta kalojnë ditën pa dëshpërim. Po ta mos ta besoja doktrinën e këmbënguljes përfundimtare të shenjtorëve, mendoj se do të isha prej të gjithë njerëzve më i mjeri, sepse do të më mungonte çdo themel ngushëllimi. Nuk mund të thoja dot, në cilëndo gjendje shpirtërore të gjendesha, se do të jem si një burim uji, që nuk shteron; përkundrazi do më duhej të merrja si krahasim një burim të kohëpaskohshëm që mund të ndalojë papritur, ose një rezervuar, për të cilin nuk do kisha arsye të prisja të jetë përherë plot. Besoj se të krishterët më të lumtur dhe të krishterët me të vërtetë janë ata që nuk guxojnë të dyshojnë Perëndinë dhe që e marrin fjalën e Tij thjesht ashtu si qëndron dhe e besojnë atë dhe nuk bëjnë pyetje; ata kanë siguri se nëse Zoti ka folur, do të jetë ashtu siç ka folur. Jap dëshminë time të sinqertë se nuk kam arsye as edhe hijen e ndonjë arsye, për të dyshuar Perëndinë tim dhe sfidoj Qiellin, tokë dhe ferrin për të sjellë ndonjë provë se Perëndia është i pavërtetë. Prej thellësive të ferrit thërras djajtë dhe prej kësaj toke thërras besimtarët e pikëlluar dhe të sprovuar dhe i bëj thirrje Qiellit dhe marr si dëshmitar përvojën e gjatë të ushtrisë të larë në gjak dhe nuk ka asnjë njeri të vetëm në të tre botët që mund të dëshmojë për një fakt që mund të hedhë poshtë besnikërinë e Perëndisë, ose që mund të dobësojë thirrjen e Tij për t’u mirëbesuar prej shërbëtorëve të Tij. Ka shumë gjëra që mund ose nuk mund të ndodhin, por këtë e di se do ndodhë—
“Ai do të paraqesë shpirtin tim,
të panjollë dhe të plotë,
përpara lavdisë së fytyrës së Tij,
me gëzime hyjnisht të mëdha.”
Të gjitha qëllimet e njerëzve janë mposhtur, por jo qëllimet e Perëndisë. Premtimet e njeriut mund të thyhen—shumë prej tyre bëhen për t’u thyer—por premtimet e Perëndisë të gjitha do të përmbushen. Ai është një premtim bërës, por Ai kurrë nuk ishte një premtim thyes; Ai është një Perëndi premtim mbajtës dhe secili prej njerëzve të Tij do ta provojë se është kështu. Ky është mirëbesimi im mirënjohës vetjak, “Zoti do të kryejë veprën e Tij tek unë:–tek unë, të pavlerin, të humburin dhe të rrënuarin. Ai do japë shpëtimin akoma dhe –
“Unë, midis turmës së larë në gjak
do të valëvis palmën dhe do të vesh kurorën,
dhe do të këlthas fitore.”
Po shkoj te një vend që plugu nuk e ka kthyer kurrë, ku është më gjelbër se kullotat më të mira të tokës dhe më i pasur se edhe të korrat më të bollshme që toka ka parë ndonjëherë. Po shkoj te një ndërtesë të një arkitekture më të mrekullueshme që dora e njeriut ka ndërtuar ndonjëherë; nuk ka projektim njerëzor; është një “godinë nga Perëndia, një banesë e përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.” Gjithçka që do të njoh dhe do të gëzoj ne Qiell do të më jepet prej Zotit dhe do të them, kur në fund do të shfaqem përpara Atij—
“Hiri gjithë punën do të kurorëzojë
duke na falur përjetësinë;
Ai vendos në Qiell gur kyçin
dhe meriton gjithë lavdërimin.”
E di se ka disa që e mendojnë të nevojshme për sistemin e tyre teologjik të kufizojnë meritën e gjakut të Jezusit; nëse sistemi im teologjik do të kishte nevojë për një kufizim të tillë, do ta hidhja tutje dhe do ta merrte era. Nuk mund, nuk guxoj të lejoj këtë mendim të gjej një strehë në mendjen time, më duket kaq afër me blasfeminë. Në veprën e përfunduar të Krishtit shikoj një oqean merite; plumbçja ime nuk prek fund, sytë e mi nuk zbulojnë dot breg. Duhet të ketë efektshmëri të mjaftueshme në gjakun e Krishtit, nëse Perëndia kishte për synim të shpëtonte jo vetëm të gjithë në këtë botë, por të gjithë në një mijë botë, sikur të kishin shkelur ligjin e Krijuesit të tyre. Prano pafundësinë në këtë punë dhe nuk mund të bëhet fjalë për kufizim. Duke pasur një Person Hyjnor për një flijim, nuk është e logjikshme të përftosh vlerë të kufizuar; kufiri dhe masa janë fjalë që nuk i zbatohen flijimit Hyjnor. Synimi i qëllimeve Hyjnore fikson zbatimin e flijimit të pafund, por nuk e ndryshon atë në një vepër të kufizuar. Mendoni për numrin e madh të atyre të cilëve Perëndia i ka dhënë tashmë hirin e Tij.
Mendoni për ushtrinë e panumërt në Qiell; sikur të paraqiteshe atje sot, do të të dukej po aq e lehtë të llogarisje yjet ose rërën e detit se sa të numëroje morinë e atyre që janë përpara fronit madje edhe tani. Ato kanë ardhur prej lindjes dhe prej perëndimit, prej veriut dhe prej jugut dhe janë të ulur në një tryeze me Abrahamin,me Isakun dhe me Jakobin në Mbretërinë e Perëndisë; dhe përveç atyre në Qiell, mendo për të shpëtuarit mbi tokë. Bekuar qoftë Perëndia,të zgjedhurit e Tij mbi tokë numërohen me miliona dhe besoj, ditët po vijnë, ditë më të shkëlqyeshme se këto kur do të ketë mori njerëzisht që do të njohin Shpëtimtarin dhe do të gëzohen në Të. Dashuria e Atit nuk është vetëm për pak njerëz, por për një shoqëri tepër të madhe. “Një turmë e madhe që askush nuk mund ta numëronte,” do të gjendet në Qiell. Njeriu mund të llogarisë vlera shumë të larta; vini në punë makinat tuaja llogaritëse, ato nga më të fuqishmet dhe ato mund të llogarisin numra të mëdhenj, por Perëndia dhe Perëndia vetëm mund të llogarisë turmën e të shlyerve të Tij.
Besoj se do të ketë më shumë në Qiell se sa ne ferr. Nëse dikush me pyet pse mendoj kështu, përgjigjem, sepse Krishti, në gjithçka, duhet të ketë “epërsinë,” dhe nuk mund ta përfytyroj dot se si Ai mund të ketë epërsinë nëse do të kishte më shumë njerëz në zotërimet e Satanit se sa ne Parajsë. Për më tepër, nuk kam lexuar kurrë se do të ketë në ferr një turmë të madhe, që askush nuk mund ta numërojë dot. Gëzohem teksa di se shpirtrat e të gjithë fëmijëve, sapo vdesin, gjenden menjëherë në Parajse. Mendo se çfarë turme që ka prej tyre! Më pas janë tashmë në Qiell miriadat e panumërta të frymëve të njerëzve të drejtë të bërë të përkryer—të shlyerit e të gjithë kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve deri tani; dhe po vijnë kohë më të mira kur feja e Krishtit do të jetë universale; kur—
“Ai do të mbretëroje prej polit në pol,
me pushtet të pakufizuar;”
kur të gjithë mbretëritë do të përkulen përpara Tij dhe kombet do të lindin në një ditë dhe në një mijë vjetët e mijëvjeçarit të madh do të ketë të shpëtuar mjaftueshëm për të ndrequr të gjitha mangësitë e mijërave viteve që kanë kaluar më përpara. Krishti do të jetë Sunduesi kudo dhe lavdërimi i Tij do të kumbojë në çdo vend. Krishti do të ketë epërsinë ne fund; shpura e Tij do të jetë shumë më e madhe se sa ajo që do të shoqërojë qerren e monarkut ogurzi të ferrit.
Disa njerëz e duan doktrinën e shlyerjes universale sepse ata thonë, “Është kaq e bukur. Është një ide e bukur kjo që Krishti të ketë vdekur për të gjithë njerëzit; të tërheq si ide në vetvete,” ata thonë, “i flet instinkteve të njerëzimit; ka diçka në të plot gëzim dhe bukuri.” E pranoj se po, por bukuria shpesh mund të shoqërohet me gënjeshtrën. Ka shumë gjëra që mund të admiroj në teorinë e shlyerjes universale, por vetëm më lejoni t’ju tregoj se çfarë rrjedhojash do të dinin prej saj. Nëse Krishti në kryq synoi të shpëtonte çdo njeri, atëherë Ai pati për qëllim të shpëtojë ata që ishin të humbur përpara se Ai vdiq. Nëse doktrina është e vërtetë, se Ai vdiq për të gjithë njerëzit, atëherë Ai vdiq për disa që ishin në ferr përpara se të vinte ne këtë botë, sepse padyshim që kishte dhe atëherë miriada që qenë flakur jashtë për shkak të mëkateve të tyre. Përsëri, nëse ishte qëllimi i Krishtit të shpëtonte të gjithë njerëzit,sa mjerueshëm që Ai është zhgënjyer sepse ne kemi vetë dëshminë e Tij se ka një liqen që digjet me zjarr dhe squfur dhe në atë gropë të kobshme janë hedhur disa prej vetë atyre njerëzve të cilët, sipas teorisë së shlyerjes universale u blenë me gjakun e Tij. Ky me duket një përftim një mijë herë më i neveritshëm se secila prej atyre rrjedhojave që thuhen që shoqërojnë doktrinën e krishterë dhe kalviniste të shlyerjes së veçantë dhe të posaçme.
Të mendosh se Shpëtimtari im vdiq për njerëzit që ishin ose që janë në ferr, më duket një hamendje tepër e tmerrshme për mua. Të marrësh me mend për një çast se Ai ishte Zëvendësuesi për të gjithë bijtë e njerëzve dhe se Perëndia mbasi dënoi së pari Zëvendësuesin, më pas dënoi edhe vetë mëkataret, duket se bie në kundërshtim me të gjithë idetë e mia të drejtësisë Hyjnore. Se Krishti duhet të ofronte një flijim të plotë për mëkatet e të gjithë njerëzve dhe se më pas disa prej vetë këtyre njerëzve të mund të dënohen për mëkatet që Krishti pati tashme shlyer, më duket se është ashtu si krimet më mizore që mund t’i jenë ngarkuar ndonjëherë saturnit, janusit, perëndeshës së keqbërësve ose perëndive pagane më djallëzore. Larg qoftë me anë të hirit të Perëndisë që të mund të mendojmë kështu për Jehovain, të drejtin, të urtin dhe të mirin!
Nuk ka shpirt që jeton që shtrëngon më me forcë se unë doktrinat e hirit dhe nëse ndonjë njeri më pyet nëse kam turp të quhem kalvinist, përgjigjem— nuk dëshiroj të quhem asgjë tjetër përveçse i krishterë, por nëse më pyet, a kam pikëpamjet doktrinale që ishin ato të Gjon Kalvinit , përgjigjem, po, në pikat kryesore të tyre dhe gëzohem ta pohoj këtë gjë. Por larg qoftë prej meje madje edhe të marr me mend se Sioni përmban veçse të krishterë kalvinistë përbrenda mureve të tij, ose se askush që nuk mban pikëpamjet tona nuk është i shpëtuar. Shumë gjëra mizore janë folur në lidhje me karakterin dhe gjendjen shpirtërore të Gjon Ueslit , princin modern të arminianëve. Në lidhje me të mund të them vetëm këtë se ndërsa i urrej shumë prej doktrinave që ai predikoi, prapëseprapë për vetë njeriun kam një nderim të tillë sa që nuk i afrohet asnjë uesliani; dhe nëse do të duhej t’i shtoheshin dy apostuj numrit të dymbëdhjetë, nuk besoj se mund të gjendeshin dy njerëz më të përshtatshëm për t’u shtuar se sa Gjon Uitfildi dhe Gjon Uesli. Karakteri i Gjon Ueslit dallohet përtej çdo akuze për vetë flijim, zell, shenjtëri dhe shoqërim me Perëndinë; ai jetoi shumë më lart nivelit të zakonshëm të të krishterëve të zakonshëm dhe ishte një nga ata për “të cilët bota nuk ishte e denjë për ta.”
Besoj se ka shumë njerëz që nuk mund të dallojnë dot këto të vërteta, ose së paku, nuk mund t’i kuptojnë ashtu si ne i kuptojmë, të cilët prapëseprapë kanë marrë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre dhe janë po aq të shtrenjtë për zemrën e Perëndisë të hirit sa kalvinisti më i drejtë brenda ose jashtë Qiellit. Nuk mendoj se dalloj prej secilit prej vëllezërve të mi tërësisht kalvinistë në atë çfarë ata besojnë, por dallohem prej tyre ne atë çfarë ata nuk besojnë. Nuk mbaj më pak se ç’mbajnë ata, por mbaj pak më shumë dhe besoj pak më shumë prej së vërtetës të zbuluar në Shkrimet. Atje jo vetëm ka ca doktrina themelore, me të cilat ne mund të drejtojmë anijen tonë për në veri, jug, lindje, ose perëndim, por teksa studiojmë Fjalën, ne do të fillojmë të mësojmë diçka në lidhje me veriperëndimin dhe juglindjen dhe gjithçka tjetër që shtrihet midis katër pikave themelore. Sistemi i të vërtetës i zbuluar në Shkrime nuk është thjesht vetëm një vizë e drejtë por dy; dhe askush nuk do të ketë një pikëpamje të qartë të ungjillit derisa të njohë se si të shikojë në të njëjtën kohë të dyja drejtëzat.
Për shembull, lexoj në një Libër të Biblës, “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.” Sidoqoftë në një tjetër pjesë të së njëjtës Fjalë të frymëzuar mësohem se “kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë.” Shikoj në një anë, Perëndinë në provani duke sunduar mbi gjithçka dhe prapëseprapë dhe nuk mund të mos ta dalloj dot se njeriu vepron ashtu siç i pëlqen dhe se Perëndia ia ka lënë veprimet e tij, në një masë të madhe, vetë vullnetit të tij të lirë. Tani nëse shpall se njeriu është kaq i lirë sa të veprojë sikur Perëndia të mos kishte fare kontroll mbi veprimet e tij, do i afrohesha shumë ateizmit; dhe nëse, në anën tjetër, të shpallja se Perëndia kaq shumë i sundon të gjitha gjërat sa njeriu nuk është i lirë mjaftueshëm për të qenë i përgjegjshëm, do t’i afrohesha menjëherë antinomianizmit ose fatalizmit. Se Perëndia paracakton dhe se prapëseprapë njeriu është i përgjegjshëm, janë dy fakte që pak mund t’i shikojnë qartë. Ata besojnë se janë fakte të papajtueshëm dhe kundërshtues me njeri tjetrin. Nëse, atëherë, shikoj se mësohet në një pjesë të Biblës se çdo gjë është e paracaktuar, kjo është e vërtetë;dhe nëse në një tjetër Shkrim, gjej se njeriu është i përgjegjshëm për të gjitha veprimet e tij, kjo është e vërtetë; dhe është veçse çmenduria ime ajo që më shpie të përfytyroj se këto dy të vërteta mund të kundërshtojnë njëra tjetrën ndonjëherë. Nuk besoj se ato mund të ngjiten bashkë në një kudhër tokësore, por me siguri që do të jenë një në përjetësi. Ato janë dy drejtëza që janë kaq afër paralele me njëra tjetrën sa mendja njerëzore që i ndjek ato në pikën më të largët nuk do të zbulojë kurrë se ato puqen, por ato me të vërtetë që puqen dhe do të ndeshen diku në përjetësi, afër fronit të Perëndisë, nga buron çdo e vërtetë.
Thuhet shpesh se doktrinat që ne besojmë kanë një prirje për të na shpjerë në mëkat. E kam dëgjuar të pohuar me shumë siguri se këto doktrina fisnike që ne duam dhe që gjejmë në Shkrimet janë doktrina të shfrenuara. Nuk e di se kush do të kishte paturpësinë të bënte këtë pohim, kur të marrin në konsideratë se më të shenjtët e njerëzve kanë qenë besimtarë të këtyre doktrinave. Pyes njeriun që guxon të thotë se kalvinizmi është një fe e shfrenuar, se çfarë mendon për karakterin e Augustinit ose Kalvinit ose Uitfildit të cilët në kohëra të njëpasnjëshme ishin shpjeguesit e mëdhenj të sistemit të hirit;ose çfarë do të thonit për puritanët,veprat e të cilëve janë plot me to?
Të kishte qenë dikush arminian në ato ditë, ai do të quhej si heretiku më i poshtër që ka marrë ndonjëherë frymë, por tani jemi ne që shikohemi si heretikë dhe ata si ortodoksë. Ne jemi kthyer te shkolla e vjetër; ne mund të gjurmojmë pasardhjen tone prej apostujve. Është ai rremb i hirit falas, i predikimit të baptistëve që na ka shpëtuar si emërtim. Sikur të mos ishte prej kësaj nuk do të ishim ku jemi sot. Ne mund të heqim një vijë të artë deri te vetë Jezu Krishti përmes një vazhdueshmërie të shenjtë etërish të fuqishëm që të gjithë mbajtën këto të vërteta të lavdishme dhe mund të pyesim në lidhje me to, “Ku do gjeni njerëz më të mirë dhe më të shenjtë në botë?” Asnjë doktrinë nuk është aq e llogaritur të ruajë një njeri prej së mëkatuari sa doktrina e hirit të Perëndisë. Ata që e kanë quajtur atë “një doktrine të shfrenuar” nuk dinin asgjë në lidhje me të. Të shkretët e paditur, ata pak dinin se vetë plaçkurinat e tyre të poshtra ishin doktrinat më të shfrenuara nën Qiell. Sikur ta njihnin hirin e Perëndisë në të vërtetë, shpejt do kuptonin se nuk ka aq ruajtës prej gënjeshtrës sa njohuria se ne jemi të zgjedhurit e Perëndisë që prej themelimit të botës. Nuk ka asgjë si besimi në këmbënguljen time të përjetshme dhe në pandryshueshmërinë e dashamirësisë së Atit tim, që mund të më mbajë afër Tij të motivuar me mirënjohje të thjeshtë. Asgjë nuk e bën një njeri kaq të virtytshëm sa besimi i së vërtetës. Një doktrinë gënjeshtare shpejt do të pjellë një praktikë gënjeshtare. Një njeri nuk mund të ketë një besim të gabuar pa patur shpejt një jetë të gabuar. Besoj se gjëja e parë pjell tjetrën. Prej të gjithë njerëzve ata kanë përshpirtshmërinë më pa interes, adhurimin më sublim, përkushtimin më të zjarrtë, që besojnë se janë shpëtuar prej hirit, pa vepra, përmes besimit dhe jo prej vetes, është dhuratë e Perëndisë. Të krishterët duhet të tregojnë kujdes dhe të përkujdesen që të jetë përherë kështu, se mos Krishti në ndonjë mënyrë kryqëzohet përsëri dhe turpërohet haptazi.
Rezervuari i mrekullueshëm
{Nga C.H.Spurgeon, marrë nga Shpata dhe Mistria e dhjetorit të vitit 1872}
Mes mrekullive më të mëdha që udhëtari do të shikojë afër Napolit është Piscina Mirabilis, një rezervuar i gjerë i nëndheshëm, që i sillej uji nga një ujësjellës prej një largësie prej pesëdhjetë miljesh. Duke zbritur tek ai nëpërmjet një shkalle të gjatë prej dyzet shkallaresh, duket se është i përshtatshëm për një tempull ose një pallat, hapësira e tij është kaq e gjerë dhe arkitektura e tij kaq madhështore; i ka masat 220 këmbë me 83 dhe çatia e tij me qemer prej ndërtimi masiv guri mbahet prej dyzet e tetë shtyllash gjigante, e gjithë struktura duke qenë po aq e fortë sa edhe ishte kur u vu e gjitha bashkë. E ngjeth vizitorin deri në palcë dhe e gëzon të shpëtojë nga aty për të dalë jashtë në ajrin e ndriçuar. Një herë përdorej me dobi dhe përmbante ujëra freskuese, por tani është po aq e errët sa është e mahnitshme. E tillë është doktrina kalviniste; nëse jeta është brenda saj, është një burim ujërash të gjallë, një depo vigane ushqimi jetësor, një grumbullim ujërash të shenjta prej krye burimit të së vërtetës; mirëpo nëse gjallëria e përbrendshme largohet, është e errët dhe e kobshme, e neveritshme për shumë veta dhe ngjethëse për të gjithë ata që hyjnë aty. Kemi njohur njerëz që kanë banuar ne kubétë e saj boshe derisa janë bërë të mjerë si fantazma duke bredhur mes varreve dhe të egër si ujq malesh. Për ta, qëllimet e Perëndisë ishin vetëm strofka të errëta prej përgjegjësive të jetës, ose burgje për shpresat e sivëllezërve të tyre.
Derdh brenda ujërat jetëmbajtëse dhe më pas do të shikoni lavdinë e atij sistemi të mrekullueshëm, që përfshin më shumë prej zbulesës hyjnore se çdo gjë tjetër që mendja njerëzore ka zbuluar ndonjëherë në faqen e frymëzuar. Kalvinizmi, ose më mirë akoma, doktrina e Palit, është një përmbledhje e ujërave të gjalla të ungjillit dhe kaq të bollshme janë ushqimet që mban si thesar sa ato janë gëzimi dhe hareja e përditshme e dhjetëra mijë shenjtorësh. Ne e çmojmë rezervuarin, jo për punimin e tij, por për përmbajtjet e tij; dhe kështu ne e vlerësojmë kalvinizmin; jo dhe aq për logjikën e tij homogjene, madhështinë e tij të mahnitshme, përftimet e tij sublime dhe rrezen e tij të gjerë, sa për ungjillin e shpëtimit tonë që e ka derdhur jashtë prej thellësisë së tij për furnizimin e nevojave njerëzore. Rrëfyesit e tij le të tregojnë kujdes që të mos bëhet për ta doktrinë e thatë, boshe, e zbrazët dhe djerrë, por le ta marrin atë në plotësinë e tij shpirtërore dhe energjinë e tij hyjnore dhe ata kurrë nuk do të skuqen të pranojnë në çdo shoqëri se besimi i tyre është i lidhur me të. Kredoja jonë nuk është pjellë e imagjinatës, as krijim i përkohshëm; është e denjë për gjeniun më fisnik, edhe pse e shkoqur mjaftueshëm për t’u kuptuar prej njeriut më të thjeshtë. Është si sublime ashtu edhe e thjeshtë sepse është e vërteta.
Jezusi,Mjeku dhe Doktrina,Zbuluesi dhe Zbulesa,Ndriçuesi dhe Drita e Njerëzve.
{Pjesë e marrë nga parathënia e volumit të parë të botuar të Spurgeon në vitin 1855.}
…Edhe përmbajtja do të sigurojë jo pak sasi të vogël ushqimi për polemikët, por në lidhje me këtë ne thjesht themi se përderisa e kemi mësuar teologjinë në një tjetër shkollë nga ajo e njerëzve, kështu do të shpresojmë përherë të shpallim tërësinë e asaj që Zoti do të na mësojë, pa pritur për opinionet njerëzore. Fjala kalvinizëm është e përdorur shpesh këtu si fjalë shkurtimi që përshkruan atë pjesë të së Vërtetës Hyjnore që mëson se shpëtimi është vetëm prej hirit, por nuk duhet që të përfytyrohet se ne i njohim ndonjë autoritet opinionit të Gjon Kalvinit tjetër nga ai që i detyrohet çdo njeriu të shenjtë që është caktuar prej Perëndisë për të shpallur të Vërtetën e Tij.
Ne e përdorim fjalën thjesht si shkurtim dhe sepse armiqtë e hirit falas do të jenë kështu më se të sigurtë se çfarë ne nënkuptojmë me këtë. Është bindja jonë e patundur se ai çfarë quhet rëndomtë kalvinizëm nuk është as më shumë e as më pak se Ungjilli i mirë i vjetër i Puritanëve, Martirëve, Apostujve dhe i Zotit tonë Jezu Krisht. Këtu, legalisti krenar, kryelarti që beson në forcën e pafuqishme të njeriut dhe moralisti vetë lartësues do të zbulojnë shumë pak gjë të përshtatshme për shijen e tyre të korruptuar dhe shumë për të nxitur armiqësinë e tyre. Mirëpo mëkatari i përulur ndoshta mund të gjejë fjalë ngushëllimi dhe besimtari vetë urryes do të fitojë ndoshta një shikim të Zotit të Tij.
Shpresa jonë është se pikat më të ulëta objekt polemike nuk do shikohen dhe aq si “gjërat që ne kemi folur në lidhje me Mbretin.” Jezusi është e Vërteta. Ne besojmë te Ai—jo thjesht në fjalët e Tij. Ai Vetë është Mjeku dhe Doktrina, Zbuluesi dhe Zbulesa, Ndriçuesi dhe Drita e Njerëzve. Ai është i lartësuar në çdo Fjalë të së Vërtetës sepse Ai është përmbledhja dhe thelbi. Ai ulet mbi Ungjillin, si një princ në vetë fronin e Tij. Doktrina është shumë e çmuar kur ne e shikojmë atë të distiluar prej buzëve të Tij dhe të mishëruar në Personin e Tij.
Predikimet janë me vlerë në përpjesëtim sa ato flasin për Të dhe e vënë në dukje. Një Ungjill pa Krishtin nuk është Ungjill dhe një fjalim pa Krishtin dëfren djajtë. Fryma e Shenjtë që ka qenë përherë i vetmi Mësimdhënësi ynë, ne besojmë se do të na mësojë më shumë për Jezusin derisa të kuptojmë me të gjithë shenjtorët cilat janë lartësitë dhe thellësitë dhe të njohim dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri. Jezusin, Jezusin, Jezusin vetëm ne jemi përpjekur të lartësojmë—Vetë Zoti i dhëntë sukses përpjekjeve tona…