Ky libër që hyn te klasikët e krishterë paraqet shumë thjesht e bukur se shpëtimi i njeriut nga mëkati në këtë jetë është i gjithë prej hirit të Perëndisë në Jezus Krishtin.
Gjithçka prej Hirit
Një fjalë e zellshme për ata që po kërkojnë Shpëtimin me anë të Zotit Jezu Krisht! Nga C. H. Spurgeon
“Por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt.” {Romakëve 5:20}
1) PËR TY
2) PËR ÇFARË ËSHTË FJALA?
3) PERËNDIA SHFAJËSON TË PAUDHIN
4) “PERËNDIA ËSHTË AI QË SHFAJËSON.” {Romakëve 8:33}
5) “I DREJTË DHE SHFAJËSUES”
6) ÇLIRIMI NGA MËKATI
7) ME ANË TË HIRIT, NËPËRMJET BESIMIT
8) BESIMI, ÇFARË ËSHTË?
9) SI MUND TË ILUSTROHET BESIMI?
10) PSE JEMI TË SHPËTUAR NEPËRMJET BESIMIT?
11) SA KEQ! NUK MUND TË BËJ ASGJË!
12) RRITJA E BESIMIT
13) RIPËRTËRITJA DHE FRYMA E SHENJTË
14) “SHPENGUESI IM JETON”
15) PENDIMI DUHET TË SHOQËROHET ME FALJEN
16) SI ËSHTË I DHËNË PENDIMI?
17) FRIKA E RËNIES PËRFUNDIMTARE
18) VËRTETIM
19) PSE SHENJTORËT KËMBNGULIN?
20) MBYLLJA
1)PËR TY
AI QË FOLI dhe shkroi këtë mesazh do të jetë shumë i zhgënjyer nëse nuk shpie shumë te Zoti Jezus. Ky mesazh dërgohet me varësi porsi një fëmijë te fuqia e Perëndisë Fryma e Shenjtë, për ta përdorur në kthimin në besim të miliona njerëzve nëse i pëlqen kështu. Pa dyshim se shumë burra e gra të varfër do të marrin në dorë këtë volum dhe Zoti do t’i vizitojë ata me hir. Për t’iu përgjigjur këtij qëllimi, pikërisht gjuha më e thjeshtë është zgjedhur dhe shumë shprehje të përditshme janë përdorur. Por nëse njerëz të pasur dhe me rang do t’i hidhnin një sy këtij libri, Fryma e Shenjtë mund t’i prekë ata gjithashtu; përderisa ajo që mund të kuptohet prej të pashkolluarve nuk është aspak më pak tërheqëse për të shkolluarit. Oh sikur disa që e lexojnë të bëhen fitues të mëdhenj shpirtrash!
Kush vallë e di sa shumë do të gjejnë shtegun drejt paqes nga çfarë lexojnë këtu? Një pyetje më e rëndësishme për ty, lexues i shtrenjtë, është kjo—A do të jesh vallë një nga këta?
Dikush ndërtoi një çezme publike anës rrugës dhe vari aty një kupë të kapur me një zinxhir të vogël. Iu tha më pas se një kritik arti i shquar kishte gjetur shumë të meta me ndërtimin e tij. “Por,” ai tha, “a pinë shumë njerëz të etur aty?” Atëherë i thanë se mijëra njerëz të varfër, burra, gra dhe fëmijë shuan etjen te ky burim; dhe ai buzëqeshi dhe tha, se nuk i vinte veshin vërejtjeve të kritikut, dhe veçse shpresonte se në ndonjë ditë vere të nxehtë vetë kritiku ta mbushte kupën me ujë, të freskohej dhe të lavdëronte emrin e Zotit.
Këtu është burimi im dhe këtu është kupa ime: gjej të metë nëse të pëlqen, por pi me të vërtetë prej ujit të jetës. Vetëm për këtë e vras mendjen. Më mirë të bekoj shpirtin e fshesarit ose leckamanit më të varfër, se sa t’i pëlqej dikujt me gjak princi dhe të dështoj ta kthej te Perëndia.
Lexues, a e ke seriozisht duke lexuar këto faqe? Nëse po, jemi të një mendjeje si fillim, por ajo që synohet këtu nuk është asgjë më pak se sa ti të gjesh Krishtin dhe Parajsën. Oh sikur t’i kërkonim bashkë! E bëj këtë duke përkushtuar këtë libër të vogël me lutje. A nuk do të bashkohesh me mua duke shikuar lart te Perëndia dhe duke i kërkuar Atij të të bekojë ndërsa lexon? Provania ka vënë këto faqe në udhën tënde, nuk ke veçse pak kohë të kursyer për t’i lexuar dhe po ndjehesh vullnet mirë për t’i dhënë vëmendjen e duhur.
Këto janë shenja të mira. Vallë kush e di se koha e caktuar e bekimit ka ardhur për ty? Sido që të jetë, “Fryma e Shenjtë thotë, Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e Tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja.”
2) PËR ÇFARË ËSHTË FJALA?
Kam dëgjuar për një histori; mendoj se vjen nga veriu i Anglisë: një shërbenjës kërkonte një grua të varfër, duke dashur ta ndihmojë, sepse ai e dinte se ajo ishte shumë e varfër. Me parat në dorë, ai trokiti në derë, por ajo nuk u përgjigj. Ai kujtoi kështu se ajo nuk ishte në shtëpi dhe u largua. Më pas ai e takoi në kishë dhe i tha se pati kujtuar nevojën e saj: “Thërrita në shtëpinë tënde dhe trokita shumë herë dhe ma merr mendja se nuk ishe në shtëpi, përderisa nuk u përgjigje.” “Në çfarë ore keni kaluar zotëri?” “Ishte rreth mesditës.” “Oh, i dashur,” ajo tha, “Të dëgjova zotëri dhe më vjen shumë keq që nuk jam përgjigjur, por mendova se ishte qiraxhiu.” Shumë gra të varfra e dinë se çfarë do të thotë kjo. Tani, është dëshira ime që të gjej dëgjesë dhe prandaj dua të them se nuk po thërras për qiranë; me të vërtetë, ky libër nuk ka për qëllim që t’ju kërkojë ndonjë gjë, por ka si qëllim që t’ju them se shpëtimi është i gjithë prej hirit, që do të thotë, falas, pa shpërblim, pa paguar asgjë.
Shpesh herë, kur jemi të merakosur për të fituar vëmendjen, dëgjuesi ynë mendon, “Ah! tani do të më thuhet se cila është detyra ime. Është thirrja e njeriut në lidhje me atë që i detyrohem Perëndisë dhe jam i sigurtë se nuk kam asgjë me se të paguaj. Nuk do të jem në shtëpi.” Jo, ky libër nuk vjen për të të kërkuar ndonjë gjë, por për të të sjellë diçka. Nuk do të flasim në lidhje me ligjin, detyrën dhe dënimin, por për dashurinë, mirësinë, faljen, mëshirën dhe jetën e përjetshme. Prandaj mos vepro pra sikur të mos ishe në shtëpi: mos i mbyll veshët, as mos ki një zemër të shkujdesur. Nuk po të kërkoj asgjë në emër të Perëndisë ose të njeriut. Nuk është qëllimi im që të të kërkoj ndonjë gjë prej duarve të tua, por unë vij në emrin e Perëndisë për të të sjellë një dhuratë falas që ndërsa e merr do të jetë për ty një gëzim i tanishëm dhe i përjetshëm. Hap derën dhe lër përgjërimet e mia që të hyjnë brenda. “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë.” Vetë Zoti të fton në një mbledhje në lidhje me lumturinë tënde të menjëhershme dhe të pafundme dhe Ai nuk do ta kishte bere këtë nëse nuk do të donte të mirën. Mos e kundërshto Zotin Jezus që troket në derën tënde, sepse Ai troket me një dorë që u gozhdua në dru për një të tille si ty. Përderisa qëllimi i Tij i vetëm është e mira jote, përkul veshin tënd dhe eja te Ai. Dëgjo me zell dhe fjala e mirë le të ngulitet në shpirtin tënd. Mund të jetë se ora ka ardhur për ty për të hyrë në atë jetë të re që është fillimi i parajsës. Besimi vjen nga dëgjimi dhe leximi është një lloj dëgjimi: besimi mund të vijë te ty ndërsa je duke lexuar këtë libër. Pse jo? O Frymë e bekuar e të gjithë hirit, bëj që të ndodhë kështu!
3) PERËNDIA SHFAJËSON TË PAUDHIN
Ky mesazh është për ty. Do ta gjesh këtë tekst në letrën drejtuar Romakëve, në kapitullin e katërt, vargu i pestë:
Ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.
Dua të të tërheq vëmendjen te këto fjalë, “Ai që shfajëson të paudhin.” Këto më duken fjalë tejet të mrekullueshme. A nuk je i befasuar se ka me të vërtetë një shprehje të tillë në Bibël, “Që shfajëson të paudhin?” Kam dëgjuar se njerëzit që urrejnë doktrinat e kryqit e sjellin atë si një akuzë kundër Perëndisë, se Ai shpëton njerëz të ligj dhe pranon te vetja më të fëlliqurin e të ndyrëve. Shiko se si ky Shkrim e pranon akuzën dhe e shpall qartë! Me anë të gojës së shërbëtorit të Tij, me anë të frymëzimit të Frymës së Shenjtë, Ai merr për veten titullin e “Ai që shfajëson të paudhin.” Ai i bën të drejtë ata që janë të padrejtë, fal ata që meritojnë të dënohen dhe favorizon ata që nuk meritojnë favor. Vallë mendove, apo jo, se shpëtimi ishte për të mirin? se hiri i Perëndisë ishte për të pastërtinë dhe të shenjtin, të cilët janë pa mëkate? Medoemos të ka shkrepur në mendje se nëse do të ishe i shkëlqyer, atëherë Perëndia do të të shpërblejë; dhe ke menduar se për shkak se nuk je i denjë, nuk mund të ketë mënyrë se si të gëzosh favorin e Tij. Duhet të jesh disi i befasuar teksa lexon një tekst si ky: “Ai që shfajëson të paudhin.” Nuk habitem se je i befasuar, sepse me gjithë njohjen e thellë me hirin e madh të Perëndisë, unë kurrë nuk kam reshtur të habitëm prej tij. A nuk tingëllon e habitshme, apo jo, se mund të jetë e mundur për një Perëndi të shenjtë të shfajësojë një njeri të pashenjtë? Sipas legalizmit të natyrshëm të zemrave tona, ne jemi gjithmonë duke folur në lidhje me vetë mirësinë dhe vlerën tonë dhe me kryeneçësi nuk i ndahemi mendimit se duhet të këtë ndonjë gjë përbrenda nesh me qëllim që të fitojmë vëmendjen e Perëndisë. Tani, Perëndia, që shikon tejpërtej gënjimeve tona, e di se nuk ka as dhe një farë mirësie çfarëdo qoftë përbrenda nesh. Ai thotë se “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.” Ai e di se “veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur,” dhe prandaj Zoti Jezus nuk erdhi në botë për të gjetur mirësinë dhe drejtësinë në ndonjërin nga ne. Ai vjen jo ngaqë jemi të drejtë, por për të na bërë të tillë: Ai shfajëson të paudhin.
Kur një avokat vjen në gjykatë, nëse është një njeri i ndershëm, ai dëshiron të mbrojë rastin e një njeriu të pafajshëm dhe ta shfajësojë përpara gjykatës prej gjërave false që akuzohet. Objektivi i avokatit duhet të jetë që ta shfajësojë njeriun e pafajshëm dhe ai nuk duhet të përpiqet t’i dalë në mbrojtje palës së fajshme. Nuk qëndron në të drejtën ose në pushtetin e njeriut të shfajësojë me të vërtetë fajtorin. Kjo është një mrekulli e rezervuar vetëm për Zotin. Perëndia, Sovrani pafundësisht i drejtë, e di se nuk ka as dhe një njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe nuk mëkaton dhe prandaj, në sovranitetin e pafund të natyrës së Tij hyjnore dhe në shkëlqimin e dashurisë së Tij të pashprehshme, Ai merr përsipër punën, jo dhe aq për të justifikuar të drejtin se sa për të justifikuar të paudhin. Perëndia ka shestuar rrugë dhe mënyra për ta bërë njeriun e paudhë të qëndrojë i pranuar drejtësisht përpara Tij: Ai ka ngritur një sistem me të cilin me drejtësi të përkryer Ai mund ta trajtojë fajtorin sikur të kishte qenë gjithë jetën e tij i përjashtuar prej shkeljes, po, mund ta trajtojë atë sikur të ishte tërësisht i përjashtuar prej mëkatit. Ai shfajëson të paudhin.
Jezus Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. Është një gjë shumë befasuese—një gjë që duhet të na mahnitë mbi gjithçka tjetër ata që e gëzojnë atë. E di se është për mua deri në këtë ditë mrekullia më e madhe që kam dëgjuar ndonjëherë që Perëndia të më ketë shfajësuar mua. Jashtë prej dashurisë së Tij të plotfuqishme e ndjej veten se jam një shuk padenjësie, një masë korruptimi dhe një kapice mëkati. E di me siguri të plotë se jam i shfajësuar me anë të besimit që është në Krishtin Jezus dhe jam i trajtuar sikur të jem përsosmërisht i drejtë dhe se jam bërë një trashëgimtar i Perëndisë dhe një bashkëtrashëgimtar me Krishtin dhe prapëseprapë prej natyre e kam vendin midis më mëkatarëve. Unë që jam edhe i padenjë jam i trajtuar sikur të isha i denjë. Jam dashur po me aq dashuri sikur të kem qenë gjithmonë i përshpirtshëm, ndërkohë që përpara unë isha i paudhë. Kush nuk do të ishte i habitur nga kjo? Mirënjohja për një favor të tillë qëndron e veshur në rroba habie.
Tani, ndërsa kjo është shumë befasuese, do Të doja që të vinit re se sa të vlefshëm e bën ungjillin për ty dhe për mua. Nëse Perëndia shfajëson të paudhin, atëherë, mik i shtrenjtë, Ai mund të të shfajësojë ty. A nuk je pikërisht një njeri i tillë? Nëse je i pakthyer në besim në këtë çast, është një përshkrim shumë i përshtatshëm për ty; ke jetuar pa Perëndinë, ke qenë i kundërti i të përshpirtshmit; me një fjalë, ke qenë dhe je i paudhë. Ndoshta as që nuk ke zënë ndonjë herë vend në ndonjë kishë të Dielën, por ke jetuar në mospërfillje ndaj ditës, shtëpisë dhe Fjalës së Perëndisë—kjo provon se ke qenë i paudhë. Akoma më trishtueshëm, ndoshta ke provuar madje edhe të dyshosh ekzistencën e Perëndisë dhe nuk ke reshtur ta pohosh një gjë të tillë. Ke jetuar në këtë tokë të hijshme, e cila është plot me dëshmitë e pranisë së Perëndisë dhe ndërkohë ke mbyllur sytë ndaj provave të qarta të pushtetit dhe Hyjnisë së Tij. Ke jetuar sikur të mos kishte Perëndi. Me të vërtetë, do të kishe qenë shumë i kënaqur nëse do të kishe mundur t’i vërtetoje vetes me siguri se nuk ka fare Perëndi. Ndoshta ke jetuar për shumë vite në këtë mënyrë, kështu që je i vendosur mirë në rrugët e tua dhe prapëseprapë Perëndia nuk gjendet në asnjë nga to. Nëse do të quheshe
I PAUDHË
do të të përshkruante po aq mirë sa sikur deti të quhej ujë i kripur. Apo jo? Ndoshta je një njeri i një soji tjetër; rregullisht ke ndjekur të gjitha format e jashtme të fesë, por pa zemër dhe në të vërtetë ke qenë i paudhë. Edhe pse je takuar me njerëz të Perëndisë, vetë nuk e ke takuar kurrë Perëndinë; ke qenë pjesë e koralit dhe prapëseprapë nuk e ke lëvduar Zotin me zemrën tënde. Ke jetuar pa ndonjë dashuri për Perëndinë në zemrën tënde ose vëmendje për urdhëresat e Tij në jetën tënde. Epo mirë, ti je pikërisht lloji i njeriut të cilit ky ungjill i dërgohet—ky ungjill që thotë se Perëndia shfajëson të paudhin. Është shumë e mrekullueshme, por është fatmirësisht e vlefshme për ty. Thjesht, të përshtatët pikërisht ty. Apo jo? Sa do të doja që ta pranoje këtë gjë! Nëse je një njeri i ndjeshëm do të kuptosh hirin e mrekullueshëm të Perëndisë që siguron për një të tillë si ti dhe do t’i thuash vetes, “Shfajëson të paudhin! Pse atëherë, unë nuk do të shfajësohesha dhe madje menjëherë?”
Tani, vëre më tej se duhet të jetë kështu—se shpëtimi i Perëndisë është për ata që nuk e meritojnë dhe nuk janë të përgatitur për të. Është e arsyeshme që kjo thënie gjendet në Bibël, sepse, mik i shtrenjtë, asnjeri tjetër nuk ka nevojë të shfajësohet përveçse ata që nuk kanë shfajësim të vetin. Nëse ndonjëri prej lexuesve të mi është përsosmërisht i drejtë, ai nuk ka nevojë për shfajësim. E ndjen se po e bën detyrën mirë dhe pothuajse po e bën qiellin borxhli. Ç’më duhet mua një Shpëtimtar, ose mëshira? Ç’më duhet mua shfajësimi? Ke për t’u lodhur këtë herë me librin tim, sepse nuk do të ketë interes për ty.
Nëse ndonjëri prej jush po mbahet kështu me të madh, më dëgjo pak. Po aq me siguri sa je i gjallë, do të humbasësh. Ju njerëz të drejtë me drejtësi të vetë veprës suaj, jeni ose mashtrues ose të mashtruar, sepse Shkrimi nuk mund të gënjejë dhe thotë qartë, “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.” Sido që të jetë nuk kam ungjill për t’i predikuar shtinjakëve, jo, as edhe një fjalë të tij. Jezus Krishti vetë nuk erdhi për të thirrur të drejtin dhe nuk kam për të bërë atë që Ai nuk bëri. Sikur të të thërrisja, nuk do të vije dhe prandaj nuk do të të thërras nën atë karakter. Jo, por më mirë të ftoj të hedhësh sytë mbi atë drejtësinë tënde derisa të shikosh se çfarë mashtrimi që është. Nuk ka më shumë thelb se sa një rrjetë merimange. Mos ki punë më me të! Mbathja tutje prej saj! Oh beso se të vetmit njerëz që mund t’u nevojitet shfajësimi janë ata që nuk janë në vetvete të drejtë! Ata kanë nevojë që diçka duhet kryer për ta për t’i bërë të drejtë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë. Të jesh i sigurtë! Zoti bën vetëm atë që është e nevojshme. Urtësia e pafundme kurrë nuk rreket për atë që është e panevojshme. Jezusi kurrë nuk ndërmerr atë që është e kotë. Ta bëjë të drejtë atë që është i drejtë nuk është punë për Perëndinë—kjo do të ishte një punë për një të çmendur, por ta bëjë të drejtë atë që është i padrejtë—kjo është punë për dashurinë dhe mëshirën e pafundme. Të shfajësojë të paudhin—kjo është një mrekulli e denjë për një Perëndi. Dhe me siguri që kështu është.
Tani, shiko. Nëse gjendet diku në botë një mjek që ka zbuluar mjekime të sigurta dhe të çmuara, te kush dërgohet vallë ky mjek? Te ata që janë të shëndetshëm si molla? Nuk besoj. Çoje në një zonë ku nuk ka njerëz të sëmurë dhe ai ndjen se nuk është në vendin e vet. Nuk ka asgjë për të për të bërë. “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.” A nuk është po aq e qartë se mjekimet e mëdha të hirit dhe shpengimit janë për të sëmurët në shpirt? Ato nuk mund të jenë për të shëndetshmit, sepse nuk do t’i hynin në punë. Mik i shtrenjtë, nëse ti ndjen se je i sëmurë shpirtërisht, Mjeku ka ardhur në botë për ty. Nëse je krejtësisht i rrënuar prej mëkatit tënd, je pikërisht ai njeri që synon plani i shpëtimit. Po të them se Zoti i dashurisë pati parasysh pikërisht njerëz të tillë si ti kur rregulloi sistemin e hirit. Merre me mend sikur një njeri zemërgjerë të vendoste të falte të gjithë ata që i janë borxhli; është e qartë se kjo gjë mund të zbatohet vetëm për ata që janë me të vërtetë borxhlinj. Një njeri i detyrohet atij një mijë paund; një tjetër i detyrohet pesëdhjetë paund; secili nuk ka veçse të bëjë llogarinë dhe detyrimi i tij do të fshihet. Mirëpo edhe njeriu më zemërgjerë nuk mund të falë borxhet e atyre që nuk i detyrohen asgjë. Është jashtë pushtetit të Plotfuqishmërisë të falë atje ku nuk ka mëkat. Prandaj, falja nuk mund të jetë për ty që nuk ke mëkat. Falja duhet të jetë për fajtorin. Ndjesa duhet të jetë për mëkatarin. Do të ishte absurde të flisje për faljen e atyre që nuk kanë nevojë për falje—për faljen e atyre që nuk kanë bërë kurrë shkelje.
A mendon se ke për të humbur ngaqë je një mëkatar? Kjo është arsyeja se pse ti mund të shpëtohesh. Sepse e pranon se je një mëkatar do të doja të të jepja zemër të besosh se hiri është i caktuar për një të tillë si ti. Një prej shkrimtarëve tanë që shkruan himne guxoi madje të thotë:
Një mëkatar është një gjë e çmuar;
Fryma e Shenjtë e ka bërë ashtu.
Është me të vërtetë kështu, se Jezusi kërkon dhe shpëton atë që është i humbur. Ai vdiq dhe bëri një shlyerje të vërtetë për mëkatarë të vërtetë. Kur njerëzit nuk janë duke luajtur me fjalët, ose nuk po e quajnë veten “mëkatarë të mjerë” thjesht për t’i bërë qejfin vetes, ndjehem i ngazëllyer t’i takoj. Do të isha i gëzuar sikur t’i flisja gjithë natën mëkatarëve të sinqertë. Bujtina e mëshirës kurrë nuk i mbyll dyert e saj të këtillëve, as gjatë ditëve të javës as të Dielën. Zoti ynë Jezus nuk vdiq për mëkate të përfytyruar, por gjaku i zemrës së Tij u derdh për të larë njollat e thella kërmëz, që asgjë tjetër nuk mund të fshijë. Ai që është mëkatar i zi katran—ai është lloji i njeriut për të cilin Jezu Krishti erdhi për ta bërë borë të bardhë. Një predikues ungjilli në një rast predikoi prej vargut, “Tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve,” dhe shprehu një predikim të tillë sa një prej dëgjuesve të tij i tha, “Njerëzit do të mendonin se i ke predikuar kriminelëve. Predikimi yt duhet të ishte mbajtur në ndonjë burg.” “Oh, jo,” tha njeriu i mirë, “sikur të kisha predikuar në ndonjë burg, nuk do të predikoja prej këtij vargu, atje do të predikoja prej vargut “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t`u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.” Pikërisht kështu. Ligji është për krenarët për të përulur mburrjen e tyre: ungjilli është për të humburit për të hequr dëshpërimin e tyre. Nëse nuk je i humbur, ç’farë ke të bësh vallë me një Shpëtimtar? A duhet të shkojë bariu mbrapa atyre që nuk kanë dalë kurrë nga udha? Pse vallë gruaja duhet të pastrojë shtëpinë e saj për qindarkat që nuk ranë kurrë nga kuleta e saj? Jo, mjekimi është për të sëmurët; ngjallja është për të vdekurin; falja është për fajtorin; liria është për ata që janë të lidhur; hapja e syve është për ata që janë të verbër. Si mund të çmohet vallë Shpëtimtari dhe vdekja e Tij mbi kryq dhe ungjilli i faljes nëse njerëzit nuk do të quheshin fajtorë dhe të denjë për dënim? Mëkatari është arsyeja e ekzistencës së ungjillit. Ti, miku im, që po i drejtohet tani fjala, nëse je i padenjë, nëse meriton ferrin, je lloji i njeriut për të cilin ungjilli është caktuar, rregulluar dhe shpallur. Perëndia shfajëson të paudhin.
Do të doja që ta bëja këtë gjë shumë të qartë. Shpresoj se e kam bërë tashmë të tillë, por megjithatë, edhe pse e qartë, është vetëm Zoti që mund ta bëjë një njeri ta kuptojë. Fillimisht një njeriu ndërgjegjezgjuar i duket e mahnitshme që shpëtimi të mund të jetë me të vërtetë për atë si një i humbur dhe fajtor. Ai mendon se duhet të jetë për të si një njeri pendestar, duke harruar se pendimi është pjesë e shpëtimit të tij. “Oh,” thotë ai, “por më duhet të jem kështu dhe ashtu,”—gjë që është e vërtetë, sepse ai do të jetë kështu dhe ashtu si rezultat i shpëtimit, por shpëtimi vjen te ai përpara se të gëzojë ndonjë prej rezultateve të shpëtimit. Shpëtimi vjen te ai, në fakt, ndërsa ai meriton vetëm këtë përshkrim të shkretë, të gjorë, të ulët e të neveritshëm, “i paudhë.” Është gjithçka që ai është kur ungjilli i Perëndisë vjen për ta shfajësuar.
Prandaj, më lejoni të nxit cilindo që nuk ka gjë të mirë në vetvete—që druajnë se nuk kanë as dhe një ndjenjë të mirë, ose çfarëdo qoftë që të mund t’i rekomandojë ata te Perëndia—që të besojnë fort se Perëndia ynë i hirshëm mund dhe do që t’i pranojë ata pa ndonjë gjë të rekomandueshme dhe t’i falë ata vetvetiu jo sepse janë të mirë, por sepse Ai është i mirë. A nuk bën Ai të shkëlqejë diellin i Tij mbi të ligun po ashtu si dhe mbi të drejtin? A nuk jep vallë Ai periudha të frytshme dhe a nuk dërgon vallë shiun dhe dritën e diellit në kohën e duhur mbi kombet më të paudha? Po, madje edhe Sodoma pati diellin e saj dhe Gomora vesën e saj. Oh mik, hiri i madh i Perëndisë tejkalon përftimin tim dhe përftimin tënd dhe do të doja që ti të mendoje ashtu siç duhet për të! Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe mendimet e Perëndisë janë më të larta se mendimet tona. Ai mund të falë bollshëm. Jezu Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët: falja është për fajtorin.
Mos u përpiq t’i bësh retushim vetes dhe ta bësh veten diçka ndryshe nga ç’je me të vërtetë, por eja ashtu siç je te Ai që shfajëson të paudhin. Një artist i madh para ca kohësh pati pikturuar një pjesë të qytetit ku jetonte dhe dëshironte, për qëllime historike, të përfshinte në pikturën e tij disa karaktere të mirënjohur në qytet. Një fshesar i pakrehur, i rreckosur dhe i papastër ishte i njohur nga të gjithë dhe në pikturë kishte një vend të përshtatshëm për të. Artisti i tha njeriut të leckosur dhe të paarsimuar “do të të paguaj mirë nëse do të vish tek studioja ime dhe të më lejosh të të pikturoj.” Ai erdhi në mëngjes, por shpejt u kthye mbrapsht për në punën e vet, sepse kishte larë fytyrën dhe kishte krehur flokët dhe kishte ngjeshur një kostum të mirë. Ai nevojitej si një lypës dhe nuk ishte ftuar në një tjetër cilësi. Po ashtu, ungjilli do të të presë ty në sallat e tij nëse vjen si një mëkatar dhe jo ndryshe. Mos prit për përmirësim, por eja menjëherë për shpëtimin. Perëndia shfajëson të paudhin dhe kjo ka të bëjë me ty ashtu si je tani dhe i përshtatet gjendjes tënde më të keqe.
Eja ashtu siç je i veshur si mos më keq. Dua të them me këtë, eja te Ati yt qiellor me gjithë mëkatet dhe mëkatshmërinë tënde. Eja te Jezusi pikërisht ashtu siç je, lebros, i fëlliqur, i zhveshur, as gati për të jetuar as gati për të vdekur. Ejani, ju që jeni fundërrinat e shoqërisë; ejani, edhe pse me zor se guxoni të shpresoni për ndonjë gjë përveçse vdekjen. Ejani edhe pse dëshpërimi po ju kaplon, duke ngjeshur kraharorin tuaj si një makth i kobshëm. Ejani dhe kërkojini Zotit të shfajësojë një tjetër të paudhë. E pse Ai nuk do ta bënte një gjë të tillë? Ejani sepse kjo mëshirë e madhe e Perëndisë është synuar për të tillë si ju. Po e paraqes në gjuhen e tekstit dhe nuk mund ta bëj më fort se kaq: vetë Zoti Perëndi i jep vetes këtë titull të hirshëm, “Ai që shfajëson të paudhin.” Ai bën të drejtë dhe bën të trajtohen si të drejtë ata që prej natyre janë të paudhë. A nuk është kjo një fjalë e mrekullueshme për ty? Lexues, mos vono ta marrësh në konsideratë këtë çështje.
4) “PERËNDIA ËSHTË AI QË SHFAJËSON.” {Romakëve 8:33}
Një gjë e mrekullueshme është kjo, të jesh i shfajësuar, ose të bëhesh i drejtë. Nëse nuk do të kishim thyer kurrë ligjet e Perëndisë nuk do të na nevojitej, sepse do të ishim të drejtë në vetvete. Ai që gjithë jetën e tij ka bërë gjërat që duhej të bënte dhe që nuk ka bërë kurrë ndonjë gjë që nuk duhej ta kishte bërë, është i shfajësuar prej ligjit. Por ti, lexues i shtrenjtë, nuk je i këtij lloji, jam më se i sigurtë. Ti je shumë i ndershëm për të pretenduar se je pa mëkat dhe prandaj ke nevojë të shfajësohesh. Tani, nëse shfajëson veten, do të jesh thjesht një vetë mashtrues. Prandaj mos bëj përpjekje për një gjë të tillë. Kurrë nuk ia vlen. Nëse pyet sivëllezërit tënd të vdekshëm për të të shfajësuar, çfarë mund të bëjnë vallë ata? Mund t’i shtysh disa nga ata të flasin mirë për ty ngaqë i ke bërë ndere të vogla dhe të tjerët do të të përgojojnë ngaqë ke bërë më pak për ta. Gjykimi i tyre nuk vlen shumë.
Teksti ynë thotë, “Perëndia është Ai që shfajëson,” dhe kjo është ku e ku më e saktë. Është një fakt i çuditshëm dhe që duhet konsideruar me kujdes. Eja dhe shiko.
Në radhë të parë, askush tjetër përveç Perëndisë nuk do të kishte menduar ndonjëherë të shfajësojë ata që janë fajtorë. Ata kanë jetuar në rebelim të hapur; kanë bërë të keqen me të dyja duart; kanë shkuar keq e më keq; janë kthyer te mëkati edhe mbasi e paguan shtrenjtë për të dhe prandaj përkohësisht u shtrënguan ta braktisin. Ata kanë thyer ligjin dhe kanë shkelur ungjillin. Ata kanë refuzuar shpalljet e mëshirës dhe kanë këmbëngulur në paudhësi. Si mund të falen dhe të shfajësohen vallë? Sivëllezërit e tyre, duke u dëshpëruar për shkak të tyre, thonë, “Ata janë raste të pashpresë.” Edhe të krishterët i shikojnë ata me trishtim se sa me shpresë. Por jo ashtu Perëndia i tyre. Ai, në shkëlqimin e hirit të Tij zgjedhës, duke i pasur zgjedhur ata përpara themelimit të botës, nuk do të prehet derisa t’i ketë shfajësuar dhe t’i ketë bërë të jenë të pranuar në Shumëtëdashurin. A nuk është e shkruajtur, “Dhe ata që Ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi”? Kështu që ju e shikoni se ka disa që Zoti vendos të shfajësojë: e pse ti dhe unë nuk do të bënim pjesë këtu? Asnjë tjetër përveç Perëndisë nuk do të kishte menduar ndonjëherë të më shfajësonte mua. Jam një mrekulli për vetë veten time. Nuk dyshoj se ky hir gjendet po ashtu dhe në të tjerë. Shikoni Saulin e Tarsit, i cili shkumëzonte me urrejtje kundra shërbëtorëve të Perëndisë. Si një ujk i uritur ai zinte për fyti qengjat dhe delet nga të gjitha anët dhe prapëseprapë Perëndia e hodhi poshtë përgjatë rrugës për në Damask dhe i ndryshoi zemrën dhe aq plotësisht e shfajësoi sa shumë shpejt ky njeri u bë predikuesi më i madh i shfajësimit me anë të besimit që ka jetuar ndonjëherë. Shpesh duhet të jetë mahnitur se u shfajësua me anë të besimit në Krishtin Jezus, sepse ai ishte një herë e një kohë një legalist i vendosur për shpëtimin me anë të veprave të ligjit. Asnjë përveç Perëndisë nuk do të kishte menduar të shfajësonte një njeri të tillë si Saul përndjekësi, por Zoti Perëndi është i lavdishëm në hir.
Por,edhe nëse ndonjëri do të kishte menduar të shfajësonte të paudhin, askush përveç Perëndisë nuk mund ta bënte një gjë të tillë. Është krejtësisht e pamundur për njeriun të falë mëkate që nuk janë kryer kundra tij. Një njeri të ka lënduar rëndë; mund ta falësh dhe shpresoj se po, por asnjë njeri tjetër nuk mund ta falë përveç teje. Nëse padrejtësia është kryer ndaj teje, falja duhet të vijë prej teje. Nëse ne kemi mëkatuar ndaj Perëndisë, është në pushtetin e Perëndisë të falë, sepse mëkati është kundra Tij. Prandaj Davidi thotë në Psalmin e pesëdhjetë e një: “Kam mëkatuar kundër Teje, vetëm kundër Teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e Tu”; sepse Perëndia atëherë, kundra të Cilit është kryer shkelja, mund ta fshijë shkeljen. Atë që i detyrohemi Perëndisë, Krijuesi ynë i madh mund ta falë, nëse i pëlqen; dhe nëse Ai e fal, është e falur. Askush përveç Perëndisë të madhërishëm, kundra të Cilit kemi kryer mëkatin, nuk mund të fshijë atë mëkat; prandaj, le të kemi kujdes që të shkojmë te Ai dhe të kërkojmë mëshirë në duart e Tij. Le të mos hyjmë në rrugë të gabuar prej atyre që do të donin që t’u rrëfenim mëkatet; ata nuk gjejnë autorizim në Fjalën e Perëndisë për pretendimet e tyre. Por edhe sikur të ishin të caktuar të shpallin faljen në emër të Perëndisë, me siguri që duhet të jetë më mirë për ne që të shkojmë vetë te Zoti i madh përmes Jezu Krishtit, Ndërmjetësi dhe të kërkojmë dhe të gjejmë falje në dorën e Tij; përderisa ne jemi të sigurtë se kjo është mënyra e drejtë. Feja ndërmjetësuese përmban një rrezik tepër të madh: do të bëje më mirë të merreshe vetë me punët e shpirtit tënd dhe mos t’i lësh në duart e askujt.
Vetëm Perëndia mund të shfajësojë të paudhin, por Ai mund ta bëjë këtë në mënyrë të përkryer. Ai hedh mëkatet tona mbrapa kurrizit të Tij, i fshin ato; Ai thotë se edhe sikur të kërkoheshin, nuk do të gjendeshin dot. Prej asnjë arsye tjetër përveçse prej vetë mirësisë së Tij të pafundme. Ai ka përgatitur një mënyrë të lavdishme me anë të cilës mund t’i bëjë mëkatet flakë të kuqe po aq të bardha sa bora dhe t’i largojë shkeljet tona prej nesh po aq larg sa lindja është prej perëndimit. Ai thotë, “Nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.” Ai bën çmos për t’i dhënë fund mëkatit. Në kohët e vjetra dikush thërriti i mrekulluar, “Cili Perëndi është si Ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së Tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.” {#Mikea 7.18}
Ne nuk po flasim për drejtësi as për trajtimin e njerëzve nga Perëndia sipas asaj që meritojnë. Nëse pretendon të sillesh me Zotin e drejtë sipas ligjit, zemërim i përjetshëm të kërcënon, sepse kjo është ç’ka ti meriton. I bekuar qoftë emri i Tij, Ai nuk na ka trajtuar sipas mëkateve tona, por Ai sillet me ne sipas hirit falas dhe zemërdhembshurisë së pafundme dhe Ai thotë, “Do t’i pranoj hirshëm (atë që është e mirë) dhe do t’i dua shumë.” Besoje këtë, sepse është me siguri e vërtetë se Perëndia i madh është i gatshëm ta trajtojë fajtorin me mëshirë të bollshme; po, Ai është i gatshëm t’i trajtojë të paudhët sikur të kishin qenë gjithmonë të perëndishëm. Lexo me kujdes shëmbëlltyrën e birit plëngprishës dhe shiko se si ati falës e priti arrakatin e kthyer me po aq dashuri sa sikur të mos ishte larguar kurrë dhe sikur të mos të ishte fëlliqur kurrë me gra të përdala. Aq larg shkoi në këtë pikë sa vëllai i madh filloi të ankohej, por ati kurrë nuk e tërhoqi mbrapa dashurinë e tij. Oh vëllai im, sado fajtor që mund të jesh, nëse veçse kthehesh te Perëndia dhe Ati yt, Ai do të të trajtojë sikur mos të kishe bërë kurrë faj! Ai do të shikojë si të drejtë dhe do të sillet me ty në përputhje me këtë. Çfarë thua vallë në lidhje me këtë?
A nuk e kupton—sepse dua që ta nxjerr qartë në pah se çfarë gjëje e shkëlqyeshme që është—se ashtu si askush përveç Perëndisë nuk do të kishte menduar të shfajësonte të paudhin dhe askush përveç Perëndisë nuk do të mund ta bëntë këtë gjë, prapëseprapë Zoti mund ta bëjë këtë? Shiko se si apostulli sfidon, “Kush do t`i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.” Nëse Perëndia ka shfajësuar një njeri atëherë është e bërë mirë, drejt, përfundimisht. Kam lexuar ca fjalë në një revistë e cila është plot me helm kundra ungjillit dhe atyre që e predikojnë atë, se ne mbajmë një lloj teorie me anë të cilës përfytyrojmë se mëkati mund të hiqet prej njerëzve. Ne nuk mbajmë asnjë teori, ne shpallim një fakt. Fakti më i madh nën qiell është ky—se Krishti me anë të gjakut të Tij të çmuar e heq me të vërtetë mëkatin dhe se Perëndia, për hir të Krishtit, duke u sjellë me njerëzit sipas mëshirës hyjnore, fal fajtorët dhe i shfajëson, jo prej ndonjë gjëje që Ai sheh në ta ose që parasheh se do të ketë në ta, por sipas pasurive të mëshirës së Tij që qëndron në vetë zemrën e Tij. Këtë ne kemi predikuar, predikojmë dhe do të predikojmë për aq gjatë sa të jetojmë. “Perëndia është Ai që shfajëson”—që shfajëson të paudhin; Atij nuk i vjen turp të bëjë një gjë të tillë, as dhe ne nuk kemi turp ta predikojmë këtë gjë.
Shfajësimi që vjen prej vetë Perëndisë nuk duhet të vihet në dyshim. Nëse Gjykatësi më lë të lirë, kush vallë mund të më dënojë? Nëse gjykata më e lartë në univers më ka shpallur të drejtë, kush do të më padiste vallë? Shfajësimi prej Perëndisë është një përgjigje e mjaftueshme për një ndërgjegje të zgjuar. Fryma e Shenjtë me anë të mjeteve të Tij i hukat paqe gjithë natyrës sonë dhe nuk kemi më frikë. Me këtë shfajësim ne mund t’i përgjigjemi të gjithë vrumbullimave dhe përqeshjeve të satanait dhe njerëzve të paudhë. Me këtë ne do të jemi të aftë të vdesim: me këtë ne do të ringjallemi me guxim dhe do të përballim gjyqin e madh përfundimtar.
Guximtar do të qëndroj në atë ditë të madhe,
Sepse kush vallë do më ngre padi?
Ndërsa prej Zotit tim jam i shfajësuar
Prej mallkimit dhe dënimit të tmerrshëm të mëkatit.
Zinzerdorf
Mik, Zoti mund të fshijë të gjitha mëkatet e tua. Nuk gjuaj kot kur them këtë gjë. “Çdo mëkat dhe blasfemi do t`u falet njerëzve.” Edhe pse je i zhytur deri në grykë në krim, Ai mund me një fjalë të heqë fëlliqjen dhe të thotë, “Po Unë dua, shërohu.” Zoti është një falës i madh.
“Besoj në Faljen e Mëkateve.” Po ti ?
Ai mund edhe tani të shpallë këtë fjalë, “Mëkatet e tua të janë falur; shko në paqe;” dhe nëse Ai e bën këtë, asnjë fuqi në Qiell ose tokë ose nën tokë nuk mund të të vendosë nën dyshim aq më pak nën zemërim. Mos dysho fuqinë e dashurisë së Plotfuqishme. Ti nuk do të mund të falje të afërmin tënd nëse ky do të kishte mëkatuar kundra teje ashtu si ti ke mëkatuar kundra Perëndisë, por ti nuk duhet të masësh grurin e Perëndisë me masën tënde; ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e Tij janë më të larta se rrugët tona dhe mendimet e Tij janë më të larta se mendimet tona.
“Epo mirë,” thua ti, “do të ishte një mrekulli e madhe nëse Zoti do të më falte.” Pikërisht kështu. Do të ishte një mrekulli supreme dhe prandaj Ai mund ta bëjë, sepse Ai bën “gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen” që nuk i kemi kërkuar.
Vetë unë u vura përfund prej një ndijimi të tmerrshëm faji, që ma bëri jetën të mjerë, por kur dëgjova urdhrin, “Kthehuni (shikoni) nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.” –Shikova dhe në një çast Zoti më shfajësoi. Jezu Krishti, i bërë mëkat për mua, ishte çfarë pashë, dhe ai vështrim më dha prehje. Kur ata që u kafshuan prej gjarpërinjve të zjarrtë në shkretëtirë panë te gjarpri prej bronzi, u shëruan menjëherë; dhe po ashtu dhe unë kur shikova te Shpëtimtari i kryqëzuar. Fryma e Shenjtë që më mundësoi të besoja më dha paqe nëpërmjet besimit. U ndjeva po aq i sigurtë se isha falur sa përpara ndjehesha i sigurtë për dënim. Pata qenë i sigurtë për dënimin tim, sepse Fjala e Zotit e shpallte atë dhe ndërgjegjja ime i jepte dëshmi, por kur Zoti më shfajësoi u bëra po aq i sigurtë prej së njëjtës dëshmi. Fjala e Perëndisë në Shkrim thotë, “ai që beson në Të nuk dënohet,” dhe ndërgjegjja ime dëshmon se besova dhe se Perëndia duke më falur është i drejtë. Kështu pra unë kam dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe të ndërgjegjes sime dhe këto të dyja janë dakord me njëra tjetrën. Oh sa do të doja që lexuesi im të mund të merrte dëshminë e Perëndisë në lidhje me këtë gjë dhe së shpejti ai do ta kishte dëshminë në vetvete!
Guxoj të them se një mëkatar i shfajësuar prej Perëndisë qëndron në një themel më të sigurtë se sa një njeri i drejtë i shfajësuar prej veprave të tij nëse ka ndonjë të tillë. Ne nuk mund të jemi kurrë të sigurtë se kemi bërë vepra të mjaftueshme; ndërgjegjja do të mbetej përherë e shqetësuar, me frikën se kemi dështuar diku dhe do të kishim vetëm verdiktin luhatës të një gjykimi të gabueshëm për t’u mbështetur, por kur Perëndia vetë shfajëson dhe Fryma e Shenjtë jep dëshmi për këtë duke na dhënë paqe me Perëndinë, atëherë ndjejmë se çështja është e sigurtë dhe e rregulluar një herë e mirë dhe hyjmë në prehje. Asnjë gjuhë nuk mund të flasë për thellësinë e asaj qetësie që vjen mbi shpirtin që ka marrë paqen e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie.
5) “I DREJTË DHE SHFAJËSUES”
Pamë të paudhin të shfajësuar dhe morëm në konsideratë të vërtetën e madhe se vetëm Perëndia mund ta shfajësojë njeriun; tani bëjmë dhe një hap më tej dhe le të këqyrim—si mund një Perëndi i drejtë të shfajësoje njerëzit fajtorë? Këtu ndeshemi me një përgjigje të plotë në fjalët e Palit në letrën drejtuar Romakëve 3 :21-26. Do të lexojmë gjashtë vargje prej kapitullit me qëllim që të kuptojmë rrjedhën logjike të kësaj pjese:
“Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët, madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim; sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.”
Më lejo që këtu të ndaj pak nga përjetimi im. Kur isha nën dorën e Frymës së Shenjtë, nën bindje mëkati, pata një ndijim të mprehtë dhe të qartë të drejtësisë së Perëndisë. Mëkati, çfarëdo që të ishte për njerëzit e tjerë, u bë për mua një barrë e padurueshme. Druaja më shumë mëkatin se sa ferrin. U bëra i ndërgjegjshëm se isha aq tmerrshëm fajtor sa kujtoj që ndjeja se nëse Perëndia nuk do të më dënonte për shkak të mëkatit tim, Ai duhet ta bënte këtë gjë medoemos. Ndjeva se Gjykatësi i të gjithë tokës duhet të dënonte mëkat të tillë si mëkatin tim. U ula në fronin e gjykimit dhe e dënova veten me vdekje, sepse rrëfeva se po të kisha qenë në vend të Perëndisë nuk mund të kisha bërë gjë tjetër përveçse ta dërgoja një krijesë fajtore ashtu si unë poshtë në honin më të thellë të ferrit. Ndërkohë pata në mendjen time një merak të madh për nderin e emrit të Perëndisë dhe për mos cenimin e integritetit të Tij moral. Ndjeva se nuk do të kënaqte ndërgjegjen time nëse mund të falesha padrejtësisht. Mëkati që pata kryer duhej të dënohej. Por më pas ngrihej pyetja se si Perëndia mund të ishte i drejtë dhe prapëseprapë të më shfajësonte mua që pata qenë aq fajtor. Pyeta zemrën time: “Si vallë Ai mund të jetë i drejtë dhe prapëseprapë shfajësues?” Shqetësohesha dhe lodhesha prej kësaj pyetje; dhe nuk mund ta gjeja dot përgjigjen. Me siguri, nuk do të mund të kisha shpikur kurrë një përgjigje që mund të kishte kënaqur ndërgjegjen time.
Doktrina e shlyerjes është për mendjen time një prej provave më të sigurta të frymëzimit hyjnor të Shkrimit të Shenjtë. Kush do të kishte menduar ose mund të kishte menduar për një Sundues të drejtë duke vdekur për një rebel të padrejtë? Ky nuk është mësim mitologjie njerëzore ose ëndërr përfytyrimi poetik. Kjo metodë shlyerje është e njohur midis njerëzve ngaqë është një fakt; imagjinata nuk mund ta ketë trilluar. Vetë Perëndia e caktoi atë; nuk është një çështje që mund të jetë sajuar.
Pata dëgjuar që prej fëmijërisë për planin e shpëtimit me anë të flijimit të Jezusit, por nuk dija më shumë në lidhje me të në brendësinë më të thellë të shpirtit tim se sa sikur të isha lindur dhe rritur në ndonjë fis primitiv. Drita ishte aty, por isha i verbër; ishte e nevojshme që vetë Zoti të më kthjellonte. Më erdhi si një zbulim i ri, aq i freskët sa sikur të mos e kisha lexuar kurrë në Shkrim se Jezusi u paraqit si blatim për mëkatet që Perëndia të mund të jetë i drejtë. Besoj se kjo do të vijë si një zbulim për çdo fëmijë të sapolindur të Perëndisë në çastin që do ta dallojë; e kam fjalën për atë doktrinën e lavdishme të zëvendësimit të Zotit Jezus. U solla të kuptoja se shpëtimi ishte i mundur përmes flijimit zëvendësues; një zëvendësim i tillë ishte siguruar që në formimin dhe rregullimin e parë të gjërave. U solla të kuptoj se Ai që është Biri i Perëndisë, i bashkë-barabartë dhe i bashkë-përjetshëm me Atin, që së hershmi qe bërë Kreu besëlidhës i një populli të zgjedhur në mënyrë që në atë cilësi të vuante për ta dhe t’i shpëtonte. Po aq sa rënia jonë nuk ishte së pari një rënie vetjake, sepse ne ramë në përfaqësuesin tonë federues, Adamin e parë, u bë e mundur për ne të rimëkëmbemi prej një përfaqësuesi të dytë, prej Atij që ka marrë përsipër të jetë kreu besëlidhës i popullit të Tij, që të jetë kështu Adami i tyre i dytë. Pashë se përpara se të kisha mëkatuar me të vërtetë pata rënë prej mëkatit të etërve të mi të parë; dhe u gëzova prandaj se kështu u bë e mundur për mua përsa i përket ligjit të ngrihem lart prej një kreu dhe përfaqësuesi të dytë. Rënia prej Adamit la një rrugëdalje; një tjetër Adam mund të çbëjë rrënimin e të parit. Kur isha i i merakosur me të madh në lidhje me mundësinë e faljes sime prej një Perëndie të drejtë, kuptova dhe pashë me anë të besimit se Ai që është Biri i Perëndisë u bë njeri dhe në vetë personin e Tij të bekuar mbajti mëkatin tim në vetë trupin e Tij mbi dru. Pashë se ndëshkimi që më jep paqen ra mbi Të dhe se u shërova prej vurratave të Tij. Mik i shtrenjtë, a e ke pare ndonjëherë këtë? A ke kuptuar ndonjëherë se si Perëndia mund të jetë plotësisht i drejtë, duke mos falur dënimin as duke mos topitur tehun e shpatës dhe prapëseprapë mund të jetë pafundësisht i mëshirshëm dhe mund të shfajësojë të paudhin që drejtohet te Ai? Kjo është e mundur, sepse Biri i Perëndisë, i lavdishëm mbi gjithçka në personin e Tij të pashoq, ndërmori të përmbushë ligjin duke mbajtur dënimin që unë meritoja dhe prandaj pra Perëndia nuk e merr parasysh mëkatin tim. Ligji i Perëndisë u shpagua më shumë prej vdekjes se Krishtit se sa do të qe shpaguar sikur të gjithë shkelësit të ishin dërguar ne ferr. Sepse Biri i Perëndisë duke vuajtur për mëkatin ishte një krijim më i lavdishëm i qeverisjes së Perëndisë se sikur gjithë raca njerëzore të vuante.
Jezusi mbajti dënimin me vdekje në vendin tonë. Shiko mrekullinë! Ja atje Ai qëndron varur mbi kryq! Kjo është pamja më e mrekullueshme që ke për të parë ndonjëherë. Bir i Perëndisë dhe Bir i Njeriut, atje Ai qëndron varur, duke duruar dhimbje të pashprehshme, i drejti për të padrejtin, për të na sjellë te Perëndia. Oh, lavdia e asaj pamje! I pafajshmi i ndëshkuar! I Shenjti i dënuar! I Bekuari në përjetësi i bërë mallkim! E lavdishmja e pafundme e nënshtruar një vdekjeje të turpshme! Aq më shumë që shikoj te vuajtjet e Birit të Perëndisë aq më shumë i sigurtë jam se ato i përshtaten rastit tim. Pse vallë Ai vuajti, nëse nuk ishte për të larguar prej nesh ndëshkimin? Nëse, atëherë, Ai e largoi atë me anë të vdekjes së Tij, atëherë është i larguar dhe ata që besojnë në Të nuk kanë pse të kenë frikë. Kështu duhet të jetë se përderisa shlyerja u bë, Perëndia është i aftë të falë pa lëkundur bazën e fronit të Tij ose pa njollosur sado pak statutin. Ndërgjegjja merr një përgjigje të plotë prej pyetjes së saj të tmerrshme. Zemërimi i Perëndisë kundra shkeljes, çfarë do qoftë ajo, patjetër që duhet të jetë përtej çdo përftimi të kobshëm. Mirë e tha Moisiu, “Kush e njeh forcën e zemërimit Tënd?” Prapëseprapë kur ne dëgjojmë Zotin e lavdisë të klithë, “Përse më ke braktisur?” dhe e shikojmë Atë duke dhënë shpirtin, ndjejmë se drejtësia e Perëndisë ka marrë një shpagim të bollshëm me anë të bindjes ndaj një vdekjeje kaq të përkryer dhe kaq të tmerrshme, e kryer prej një personi aq hyjnor. Nëse vetë Perëndia përkulet përpara vetë ligjit të Tij, çfarë mund të bëhet vallë më shumë? Shlyerja me meritë është më e madhe se sa gjithë mëkati njerëzor pa meritë. Honi i madh i vetë flijimit të dashur të Jezusit mund të gëlltisë malet e mëkateve tona, ato të gjithë. Për hir të mirësisë së pafundme të këtij njeriu të vetëm përfaqësues, Zoti mund të shikojë me favor mbi njerëz të tjerë, sado të padenjë qofshin këta përbrenda dhe prej vetës së tyre. Ishte një mrekulli mrekullish që Zoti Jezu Krisht të mund të qëndronte në vendin tonë dhe
Të mbante që ne të mos mbanim kurrë
Zemërimin e drejtë të Atit të Tij.
Por Ai ka bërë kështu tashmë. “U krye.” Perëndia do ta kursejë mëkatarin, sepse Ai nuk kurseu Birin e Tij. Perëndia nuk i merr parasysh shkeljet tuaja, sepse Ai i vendosi ato shkelje mbi Birin e Tij të Vetëmlindur gati dy mijë vjet më parë. Nëse beson në Jezus (kjo është çështja), atëherë mëkatet e tua u hoqën tutje nga Ai që ishte qengji flijues për popullin e Tij.
Çfarë do të thotë të besosh në Të? Nuk është thjesht të thuash, “Ai është Perëndi dhe Shpëtimtari,” por t’i besosh Atij tërësisht dhe plotësisht dhe ta marrësh Atë për të gjithë shpëtimin tënd nga tani dhe përherë—Zoti yt, Mësuesi yt, gjithçkaja jote. Nëse do ta zësh Atë, Ai tashmë të ka zënë. Nëse beson në Të, po të them se nuk mund të shkosh në ferr, sepse kjo do të thoshte ta bëje pa efekt flijimin e Krishtit. Nuk mund të jetë e mundur që një flijim të pranohet dhe prapëseprapë shpirti, për të cilin ai flijim pranua, të vdesë. Nëse një shpirt besimtar do të mund të dënohej, atëherë pse një flijim? Nëse Jezusi vdiq në vendin tim, pse do të më duhej të vdisja edhe unë? Çdo besimtar mbrohet me të drejtën se flijimi u bë me të vërtetë për të: me anë të besimit ai ka vënë duart e tij mbi të dhe e ka bërë të tijën dhe prandaj ai mund të prehet i sigurtë se nuk do të vdesë kurrë. Zoti nuk do ta pranonte këtë flijim në emrin tonë për të na dënuar më pas me vdekje. Zoti nuk mund të lexojë faljen tonë të shkruar në gjakun e vetë Birit të Tij dhe më pas të na godiste. Do të ishte e pamundur. Oh paçi hir menjëherë për të shikuar te Jezusi dhe të filloni me fillimin, me Jezusin, i Cili është Kreu i Burimit të mëshirës për njeriun fajtor!
“Ai shfajëson të paudhin.” “Është Perëndia Ai që shfajëson,” prandaj dhe vetëm për këtë arsye mund të kryhet, dhe Ai e bën këtë përmes flijimit shlyes të Birit të Tij hyjnor. Prandaj mund të kryhet drejtësisht—aq drejtësisht sa asnjë nuk do ta vërë ndonjëherë në dyshim—aq tërësisht sa në të tmerrshmen ditë të fundit, kur qielli dhe toka nuk do të gjenden më, nuk do të ketë asnjë që do ta mohojë vlefshmërinë e shfajësimit. “Kush është ai që do t`i dënojë? Krishti është ai që vdiq,” “Kush do t`i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.”
Tani, shpirt i varfër! a do të vish pra në këtë barkë shpëtimi pikërisht ashtu siç je? Këtu ka siguri prej mbytjes! Prano çlirimin e sigurtë. “Nuk kam asgjë me vetë,” po thua. Nuk të kërkohet të sjellësh ndonjë gjë me vete. Njerëzit që ia mbathin për të shpëtuar jetën e tyre do të linin mbrapa edhe rrobat. Brof për atë, pikërisht ashtu siç je.
Do të të them këtë gjë në lidhje me mua për të të dhënë zemër. Shpresa ime e vetme për qiellin qëndron në shlyerjen e plotë të kryer mbi kryqin e Kalvarit për të paudhin. Aty unë mbështetem fort. Nuk kam hijen e shpresës në ndonjë gjë tjetër. Ti je në të njëjtën gjendje si dhe unë, sepse asnjë nga ne nuk ka ndonjë gjë me vlerë që të jetë themel i besimit tonë. Le të bashkojmë duart dhe të qëndrojmë bashkë në këmbën e kryqit dhe t’ia besojmë shpirtrat tanë një herë e përgjithmonë Atij që derdhi gjakun e Tij për fajtorin. Do të shpëtohemi nga vetëm një dhe i njëjti Shpëtimtar. Nëse i beson Atij dhe gjithsesi do të humbisje, edhe unë atëherë do të humbisja. Çfarë mund të bëj më shumë për të provuar vetë mirëbesimin tim në ungjillin që po vendos para teje?
6) ÇLIRIMI NGA MËKATI”
Në këtë pikë do të doja t’u thosha një ose dy fjalë të shkoqura atyre që e kuptojnë mënyrën e shfajësimit me anë të besimit që është në Krishtin Jezus, por që trazohen se nuk mund të reshtin së mëkatuari. Nuk mund të jemi kurrë të lumtur, në prehje, ose shpirtërisht të shëndetshëm derisa të bëhemi të shenjtë. Duhet ta heqim qafe mëkatin, por si mund të bëhet vallë kjo gjë? Kjo është për shumë njerëz pyetja për jetë a vdekje. Natyra e vjetër është shumë e fortë dhe ata janë përpjekur ta përkulin dhe ta zbusin, por nuk do të nënshtrohet dot dhe i duket vetja, edhe pse plot merak për të qenë më të mirë, më keq se më përpara. Zemra është kaq e ngurtë, vullneti është kaq kokëfortë, pasionet janë kaq të tërbuara, mendimet janë kaq të hallakatura, imagjinata është kaq e pakontrollueshme, dëshirat janë kaq të egra sa njeriu ndjen se ka një kafaz me kafshë të egra përbrenda që do ta brejnë përpara se të sundohen prej tij. Ne mund të themi në lidhje me natyrën tonë atë çfarë Zoti i tha Jobit në lidhje me Leviatanin: “A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?” Një njeri që shpreson të kontrollojë me anë të vetë forcës së tij këto fuqi të papërmbajtshme që banojnë brenda natyrës së tij të rënë, do të ishte si dikush që do të shpresonte të mbante erën e veriut në pëllëmbën e dorës së tij. Kjo është një bëmë më e madhe se secilës prej veprave të sajuara të Herkulit: Perëndia është i nevojshëm këtu.
“Mund ta besoj se Jezusi do ta falë mëkatin,” thotë njeri, “por më pas ajo që më trazon është se mëkatoj përsëri dhe se ndjej aq prirje të tmerrshme për të ligën përbrenda meje. Po me aq siguri sa një gur, nëse ky hidhet në ajër, shpejt bie poshtë përsëri në tokë, po ashtu dhe unë, edhe pse ngrihem në qiell prej predikimit të zellshëm, kthehem përsëri në gjendjen time të pandjeshme. Sa keq! Joshem shpejt prej syve hipnotizues të mëkatit dhe mbahem kështu si nën magjepsje, kështu që nuk mund të shpëtoj prej vetë marrëzisë sime.”
Mik i shtrenjtë, shpëtimi do të ishte një punë trishtueshëm e paplotë nëse nuk do të merrej me këtë pjesë të gjendjes sonë të rrënuar. Ne duam të pastrohemi po ashtu dhe të falemi. Shfajësimi pa shenjtërimin nuk do të ishte aspak shpëtim. Do ta quante leprosin të pastër dhe do ta linte të vdiste prej sëmundjes së tij; do të falte rebelimin dhe do të lejonte rebelin të mbeste një armik ndaj mbretit të tij. Do të hiqte rrjedhojat, por do të mbylltë sytë ndaj shkakut dhe kjo gjë do të linte para nesh një detyrë të pashpresë dhe të pafundme. Do të ndalonte rrymën për një farë kohe, por do të linte një burim të hapur fëlliqje, i cili shpejt a vonë do të shpërthente me fuqi me të madhe. Sill në mendje se Zoti Jezus erdhi për të hequr mëkatin në tre mënyra; Ai erdhi për të hequr dënimin e mëkatit, fuqinë e mëkatit dhe së fundmi, praninë e mëkatit. Menjëherë mund të arrish te pjesa e dytë—fuqia e mëkatit mund të thyhet menjëherë; dhe kështu do të jesh në udhë për te e treta, domethënë, heqjen e pranisë së mëkatit. “Ne e dimë se Ai u shfaq për të hequr mëkatet tona.”
Engjëlli tha për Zotin tonë, “Ti do t`i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.” Zoti ynë Jezus erdhi për të shkatërruar brenda nesh veprat e djallit. Ajo që u tha në lindjen e Zotit u shpall gjithashtu në vdekjen e Tij, sepse kur ushtari tejshpoi ijën e Tij, prej kësaj rrodhi gjak dhe ujë për të nxjerrë në pah kurën e dyfishte me anë të cilës ne çlirohemi prej fajit dhe fëlliqjes se mëkatit.
Nëse, sidoqoftë, jeni të trazuar prej fuqisë së mëkatit dhe prej prirjeve të natyrës suaj, gjë që mund të jetë shumë e mundur, këtu ka një premtim për ju. Kini besim në të, sepse gjendet në një besëlidhje të hirit që është e sigurtë dhe e rregulluar në të gjitha gjërat. Perëndia që nuk mund të gënjejë, ka thënë te Ezekieli 36, 26:
“Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.”
E shikoni pra, e gjithë është “Unë do të,” dhe “Unë do të.” “Unë do të jap,” dhe “do të heq.” Ky është stili mbretëror i Mbretit të mbretërve, që është i aftë të përmbushë të gjithë vullnetin e Tij. Asnjë fjalë e Tij nuk do të bie ndonjëherë përtokë.
Zoti e di shumë mirë se nuk mund ta ndryshosh vetë zemrën tënde dhe se nuk mund ta pastrosh vetë natyrën tënde, por Ai di gjithashtu se mund t’i kryeje të dyja këto. Ai mund të bëjë Etiopasin që të ndryshojë lëkurën e tij dhe leopardin pullat e tij. Dëgjo këtë dhe habitu: Ai mund të të krijojë për herë të dytë; Ai mund të të bëjë të lindësh sërish. Kjo është një mrekulli hiri, por Fryma e Shenjtë do ta kryejë këtë. Do të ishte një gjë shumë e mrekullueshme nëse ndonjëri të qëndronte poshtë Ujëvarës së Niagarës dhe të mund të fliste një fjalë që do ta bënte lumin Niagara të ngjitej kundër rrymës dhe të hidhej përpjetë asaj humnere mbi të cilën ai rrokulliset me forcë të mahnitshme. Asgjë përveç fuqisë së Perëndisë nuk mund ta arrijë atë mrekulli; krahasimi do të ishte më se i përshtatshëm në lidhje me atë që do të ndodhte nëse rrjedha e natyrës suaj do të përmbysej. Të gjitha gjërat janë të mundshme për Perëndinë. Ai mund të përmbysë drejtimin e dëshirave tuaja dhe rrymën e jetës suaj dhe në vend që të shkoj tatëpjetë larg prej Perëndisë, Ai mund ta bëjë gjithë qenien tuaj që të anojë drejt Perëndisë. Kjo është në fakt, ajo që Zoti ka premtuar të bëjë për të gjithë ata që janë në besëlidhje; dhe ne dimë prej Shkrimit se të gjithë besimtarët janë në besëlidhje. Më lejoni të lexoj fjalët përsëri:
“Unë do t’u shtie përbrenda një frymë të re,do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi.”{#Ezekiel 11:19}
Çfarë premtim i mrekullueshëm! Dhe është po dhe amen për ne në Krishtin Jezus për lavdi të Perëndisë. Le ta mbërthejmë; le ta pranojmë si të vërtetë dhe ta përvetësojmë për veten tonë. Atëherë ai do të përmbushet për ne dhe kemi për të kënduar ne ditët dhe vitet e mëpasshëm për atë ndryshim të mrekullueshme që hiri sovran i Perëndisë ka kryer në ne.
Ia vlen mirë të merret në konsideratë se kur Zoti heq zemrën e ngurtë, kjo vepër është e kryer dhe kur kjo është kryer një herë, asnjë fuqi e njohur nuk mund ta heqë ndonjëherë atë zemër të re që Ai jep dhe atë frymë të drejtë që Ai vë përbrenda nesh. “Sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme;” domethënë pa pasur pendim nga ana e Tij; Ai nuk merr mbrapsht atë që ka dhënë një herë. Le t’ju ripërtërijë dhe do të jeni të përtëritur. Përmirësimeve dhe pastrimeve të njeriut shpejt u vjen fundi, sepse qeni kthehet tek ajo që ka vjellë, por kur Perëndia vë një zemër të re përbrenda nesh, zemra e re është atje përherë dhe kurrë nuk do të kthehet më në gur sërish. Ai që e bëri atë zemër prej mishi, do ta mbajë ashtu. Këtu, ne mund të gëzohemi dhe të jemi të lumtur përherë në atë që Perëndia krijon në mbretërinë e hirit të Tij.
Për ta shtjelluar këtë pikë shumë thjeshtë—a keni dëgjuar ndonjëherë për ilustrimin e zotit Rouland me macen dhe me dosën? Do ta paraqes sipas mënyrës sime për të ilustruar fjalët shprehëse të Shpëtimtarit tonë—”Duhet të lindni përsëri.” A e shikoni atë mace? Çfarë krijese e pastër që është! Sa me shkathtësi pastrohet me gjuhën dhe putrat e saj! Është një pamje shumë e bukur! A keni parë ndonjëherë një dosë ta bëjë këtë gjë? Jo, nuk keni parë kurrë një gjë të tillë. Është kundra natyrës së saj. Ajo parapëlqen të zhgërryhet në baltë. Shko dhe mësoi një dose të lahet dhe do të shikosh se sa pak sukses do të kesh. Do të ishte me të vërtetë një përmirësim higjenik i madh nëse dosa do të mund të ishte e pastër. Mësojini dosave të lahen dhe të pastrohen ashtu si macja! Punë e padobishme. Mund me anë të forcës të lash atë dosë, por ajo shpejton për te balta dhe shpejt ndotet ashtu si përherë. E vetmja mënyrë me anë të cilës mund të arrini që një dosë të lahet është ta transformosh në një mace; atëherë ajo do të lahet dhe do të jetë e pastër, por ama jo deri atëherë! Merrni me mend përmbushjen e këtij transformimi dhe atëherë çfarë ishte e vështirë ose e pamundur është mjaft e lehtë; dosa këtej e tutje do të jetë e përshtatshme për dhomën e ndenjjes. Kështu është me një njeri të paudhë; nuk mund ta detyrosh të bëjë atë çfarë një njeri i përtëritur bën vullnetarisht; mund ta mësosh dhe t’i japësh një shembull të mirë, por ai nuk mund të mësojë artin e shenjtërisë, sepse nuk ka mendje për atë; natyra e tij e shpie në një tjetër udhë. Kur Zoti e shndërron në një njeri të ri, atëherë të gjitha gjërat veshin një aspekt të ndryshëm. Kaq i madh është ndryshimi sa një herë dëgjova një të ripërtëritur të thotë, “Ose e gjithë bota ka ndryshuar, ose përndryshe unë kam ndryshuar.” Natyra e re ndjek të drejtën po aq natyrshëm sa edhe natyra e vjetër bredh mbas gënjeshtrës. Çfarë bekimi të marrësh një natyrë të tillë! Vetëm Fryma e Shenjtë mund ta japë atë.
A nuk ju bëri përshtypje vallë se çfarë gjëje e mrekullueshme që është për Zotin t’i japë një njeriu një zemër të re dhe një frymë të drejtë? Ndoshta keni parë një gaforre deti që mbasi ka luftuar me një tjetër gaforre ka humbur një prej kthetrave të saj dhe një kthetër e re është rritur. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme, por është shumë e habitshme fakti që një njeriu t’i jepet një zemër e re. Kjo, me të vërtetë, është një mrekulli përtej fuqive të natyrës. Këtu ka një pemë. Nëse pret njërën prej degëve të saj një tjetër mund të rritet në vendin e saj, por a mund të ndryshosh pemën; a mund të ëmbëlsosh limfën e thartë; a mund të bësh vallë ferrat të mbajnë fiq? Mund ta shartosh me diçka më të mirë dhe kjo është analogjia që natyra na jep për veprën e hirit, por të ndryshosh krejtësisht limfën jetësore të pemës do të ishte një mrekulli me të vërtetë. Një mrekulli dhe mister i tillë i fuqisë së Perëndisë vepron në të gjithë ata që besojnë në Jezusin.
Nëse ia dorëzoni veten veprës së Tij hyjnore, Zoti do të ndryshojë natyrën tuaj; Ai do të nënshtrojë natyrën e vjetër dhe do të hukasë jetë të re përbrenda jush. Vendoseni besimin tuaj në Zotin Jezu Krisht dhe Ai do të heqë nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju japë një zemër mishi. Atje ku gjithçka ishte e ngurtë, gjithçka do të jetë e butë; atje ku gjithçka ishte e çoroditur, gjithçka do të jetë e virtytshme; atje ku gjithçka prihej tatëpjetë, gjithçka do të ngrihet së larti me forcë të vrullshme. Luani i zemërimit do t’i lërë vendin qengjit të butësisë; korbi i papastërtisë do të fluturojë para pëllumbit të pastërtisë; gjarpri i poshtër i mashtrimit do të shtypet nën thembrën e së vërtetës.
Kam parë me vetë sytë e mi ndryshime të tilla të mrekullueshme me karakter shpirtëror dhe moral që më bëjnë të mos humb shpresat për askënd. Do të mundja, nëse do të ishte e përshtatshme, të tregoj ato që një herë ishin gra të ndyra që janë tani të pastra si bora e mbledhur grumbuj-grumbuj dhe burra blasfemues që tani kënaqin njerëzit rreth e përqark tyre me përkushtim të madh. Hajdutët janë bërë të ndershëm, pijanecët të përkorë, gënjeshtarët të sinqertë dhe tallësit të zellshëm. Kudo që hiri i Perëndisë i është shfaqur njeriut e ka shtyrë atë të mohojë paperëndishmërisë dhe epshet e botës dhe të jetojë me maturi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë botë të ligë të tashme; dhe lexues i shtrenjtë, të njëjtën gjë do të bëjë për ty.
“Nuk mund ta bëj këtë ndryshim,” thotë dikush. Kush tha që mund ta bësh? Shkrimi që cituam nuk flet për atë që njeriu do të bëjë, por atë që Perëndia do të bëjë. Është premtimi i Perëndisë dhe i përket Atij të përmbushë vetë zotimet e Tij. Besoi Atij për përmbushjen e Fjalës së Tij për ty dhe do të kryhet.
“Por si vallë mund të bëhet kjo gjë?” “E ç’të duhet ty? A i duhet Zotit që të shpjegojë metodat e Tij përpara se ti t’i besosh Atij? Vepra e Zotit në këtë çështje është një mister i madh: Fryma e Shenjtë e kryen atë. Ai që bëri premtimin, ka përgjegjësinë ta mbajë premtimin dhe Ai është në lartësinë e detyrës. Perëndia që premtoi këtë ndryshim të mrekullueshëm, me siguri që do ta zbatojë te të gjithë ata që marrin Jezusin, sepse të gjithë këtyre Ai u jep pushtet të bëhen Bijtë e Perëndisë. Oh, e besofshi këtë! Oh u tregofshi të drejtë me Zotin e hirshëm për të besuar se Ai mund dhe do ta bëjë këtë për ju, edhe pse mrekulli e madhe! Oh, besofshi se Perëndia nuk mund të gënjejë! Oh, vendoseni besimin te Ai për një zemër të re dhe një frymë të drejtë, sepse Ai mund t’jua japi këto! Zoti ju dhëntë besim në premtimin e Tij, besim në Birin e Tij, besim në Frymën e Shenjtë, besim në Të dhe Atij i qoftë lavdërimi, nderi dhe lavdia përjetë e përjetë! Amen.
7) ME ANË TË HIRIT, NËPËRMJET BESIMIT
“Jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit.”
{#Efesianëve 2 :8}
Mendoj se është mirë të kthehem pak në një anë që të mund t’i kërkoj lexuesit tim të vështrojë me adhurim kryeburimin e shpëtimit tonë, i cili është hiri i Perëndisë. “Me anë të hirit jeni shpëtuar.” Sepse Perëndia është i hirshëm, prandaj njerëzit mëkatarë falen, kthehen në besim, pastrohen dhe shpëtohen. Nuk është për shkak të ndonjë gjëje në ta, ose që mund të ketë ndonjëherë në ta, që ata janë shpëtuar, por për shkak të dashurisë, mirësisë, keqardhjes, dhembshurisë, mëshirës dhe hirit të pakufishëm të Perëndisë. Qëndro një çast pra te kryeburimi. Shiko lumin e pastër të ujit të jetës, teksa rrjedh jashtë prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit!
Çfarë abisi që është hiri i Perëndisë! Kush mund ta masë gjerësinë e tij? Kush mund të hulumtojë thellësinë e tij? Ashtu si të gjitha atributet hyjnore, është i pafund. Perëndia është plot me dashuri, sepse “Perëndia është dashuri.” Perëndia është plot me mirësi; vetë emri “Perëndi” është shkurtimi i “i mirë.” Mirësi dhe dashuri të pakufishme bëjnë pjesë në vetë thelbin e Hyjnisë. Është për shkak se “mirësia e Tij vazhdon përjetë” që njerëzit nuk shkatërrohen; për shkak se “mëshirat e Tij nuk janë mbaruar plotësisht ” që mëkatarët sillen te Ai dhe falen.
Sillni në mendje këtë ose përndryshe mund të bini në gabim duke fiksuar mendjet tuaja kaq shumë mbi besimin i cili është kanali i shpëtimit aq sa të harroni hirin i cili është zanafilla dhe burimi edhe madje i vetë besimit. Besimi është vepra e hirit të Perëndisë përbrenda nesh. Asnjë njeri nuk mund të thotë se Jezusi është Krishti përveçse me anë të Frymës së Shenjtë. “Askush nuk mund të vijë tek Unë,” tha Jezusi, “po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” Kështu që besimi, që është të vish te Krishti, është rezultati i tërheqjes hyjnore. Hiri është i pari dhe i fundit shkak lëvizës i shpëtimit dhe besimi, ashtu thelbësor siç është, është vetëm një pjesë e rëndësishme e mekanizmit që hiri vë në përdorim. Ne jemi shpëtuar “nëpërmjet besimit,” por shpëtimi është “me anë të hirit.” Bëj që të kumbojnë këto fjalë si me trumbetën e kryeengjëllit : “Jeni shpëtuar me anë të hirit.” Çfarë sihariqi për të padenjin!
Besimi ka vendin e një kanali ose një tubacioni. Hiri është burimi dhe rrjedha; besimi është ujësjellësi përgjatë të cilit ujërat e mëshirës rrjedhin poshtë për të freskuar bijtë e etur të njerëzve. Është për të ardhur keq kur ujësjellësi copëtohet. Është një pamje e trishtueshme të shikosh përqark Romës ujësjellsat e shumtë madhështorë që nuk transportojnë më ujë në qytet, sepse harqet janë thyer dhe strukturat e madhërishme janë në rrënoja. Ujësjellësi duhet që të ruhet i tëri për të transportuar rrymën; dhe po ashtu, besimi duhet që të jetë i vërtetë dhe i shëndetshëm, duke çuar drejt e tek Perëndia dhe duke ardhur poshtë drejt e tek ne, që të mund të bëhet një kanal mëshire i dobishëm për shpirtrat tanë.
Akoma, ju kujtoj përsëri se besimi është vetëm kanali dhe ujësjellësi dhe jo kryeburimi dhe ne nuk duhet që të shikojmë dhe aq shumë te ai sa ta lartësojmë përmbi burimit hyjnor të çdo bekimi që është në hirin e Perëndisë. Kurrë mos ndërtoni një Krisht prej besimit as mos mendoni për të sikur të ishte burimi i pavarur i shpëtimit tuaj. Jeta jonë gjendet në “duke shikuar te Jezusi,” dhe jo në të shikuarin te vetë besimi ynë. Nëpërmjet besimit të gjitha gjërat bëhen të mundura për ne; prapëseprapë fuqia nuk është në besim, por në Perëndinë ku besimi mbështetet. Hiri është lokomotiva e fuqishme dhe besimi është zinxhiri me anë të cilit vagoni i shpirtit është i lidhur me burimin e energjisë. Drejtësia e besimit nuk është shkëlqesia morale e besimit, por drejtësia e Jezu Krishtit të Cilin besimi e shtrëngon dhe përvetëson. Paqja përbrenda shpirtit nuk rrjedh prej soditjes së vetë besimit tonë, por ajo vjen te ne prej Atij që është paqja jonë, cepin e rrobës së të Cilit besimi prek dhe virtyti vjen prej Tij në shpirt.
E shikon pra, mik i shtrenjtë se dobësia e besimit tënd nuk do të të shkatërrojë. Një dorë drithëruese mund të marrë një dhuratë të artë. Shpëtimi i Zotit mund të vijë te ne edhe sikur të kemi një besim sa një farë sinapi. Fuqia qëndron në hirin e Perëndisë dhe jo në besimin tonë. Mesazhe të mëdha mund të dërgohen përgjatë telash të hollë dhe dëshmia paqedhënëse e Frymës së Shenjtë mund të arrijë zemrën me anë të një besimi i ngjashëm me një fill që duket pothuajse i paaftë të mbajë vetë peshën e tij. Mendo më shumë për Të që shikon se sa për vetë shikimin. Duhet që edhe të largosh sytë tutje vetë shikimit tënd dhe të mos shikosh asgjë përveç Jezusit dhe hirin e Perëndisë të zbuluar në Të.
8) BESIMI, ÇFARË ËSHTË?
ÇFARË ËSHTË KY BESIM në lidhje me të cilin është thënë, “Me anë të hirit jeni shpëtuar nëpërmjet besimit?” Ka shumë përshkrime të besimit, por pothuajse të gjitha përkufizimet që kam hasur më kanë bërë që ta kuptoj më pak në krahasim me më parë. Zezaku tha, kur lexoi kapitullin, se do ta ngatërronte atë; dhe është shumë e mundur se e ngatërroi me të vërtetë, edhe pse synonte që ta shtjellonte. Ne mund ta shpjegojmë besimin derisa asnjë mos ta kuptojë dot. Shpresoj se nuk do të jem fajtor për këtë gabim. Besimi është gjëja më e thjeshtë nga të gjitha gjërat dhe ndoshta për shkak të thjeshtësisë së tij është më e vështirë për t’u shpjeguar.
Çfarë është besimi? Ai përbëhet nga tre gjëra—njohuria, besimi dhe mirëbesimi. Njohuria vjen e para. “Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” Dua që të informohem për një fakt përpara se mundësisht ta besoj atë. “Besimi vjen nga dëgjimi”; na duhet që të dëgjojmë së pari, me qëllim që të njohim çfarë duhet besuar. “Ata që e njohin emrin Tënd do të kenë besim te Ti.” Një masë njohurie është thelbësore për besimin; prandaj dhe rëndësia e marrjes së njohurisë. “Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë.” E tillë ishte fjala e profetit të hershëm dhe është akoma fjala e ungjillit. Kërkoni Shkrimet dhe mësoni çfarë Fryma e Shenjtë mëson në lidhje me Krishtin dhe shpëtimin e Tij. Kërkoni të njihni Perëndinë: “sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.” Fryma e Shenjtë ju dhëntë frymën e njohjes dhe të frikës së Zotit! Njihni ungjillin: njihni çfarë është lajmi i mirë, se si flet për faljen falas dhe për ndryshimin e zemrës, për adoptimin në familjen e Perëndisë dhe për bekime të tjera të panumërta. Njihni veçanërisht Krishtin Jezus Birin e Perëndisë, Shpëtimtarin e njerëzve, i bashkuar me ne me anë të natyrës së Tij njerëzore dhe prapëseprapë një me Perëndinë; dhe kështu i aftë të veprojë si Ndërmjetës midis Perëndisë dhe njeriut, i aftë të shtrijë dorën mbi të dy dhe të jetë hallka lidhëse midis mëkatarit dhe Gjykatësit të të gjithë tokës. Përpiquni që të njihni më shumë e më shumë për Krishtin Jezus. Përpiquni veçanërisht të njihni doktrinën e flijimit të Krishtit, sepse pika ku kryesisht besimi shpëtimtar ngulitet është kjo— “Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre.” Mësoni se Jezusi “u bë mallkim për ne, duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru.” Pini me gllënjka të mëdha doktrinën e veprës zëvendësuese të Krishtit, sepse atje qëndron ngushëllimi më i ëmbël i mundshëm për bijtë fajtorë të njerëzve përderisa Perëndia “bëri të jetë mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.” Besimi fillon me njohurinë.
Mendja shkon më tutje dhe beson se këto gjëra janë të vërteta. Shpirti beson se Perëndia ekziston dhe se Ai dëgjon thirrmat e zemrave të sinqerta; se ungjilli është prej Perëndisë; se shfajësimi me anë të besimit është e vërteta e madhe që Perëndia ka zbuluar në këto ditë të fundit me anë të Frymës së Tij më qartë se më përpara. Atëherë zemra beson se Jezusi është me të vërtetë Perëndia dhe Shpëtimtari ynë, Shpenguesi i njerëzve, Profeti, Prifti dhe Mbreti i popullit të Tij. E gjitha kjo pranohet si e vërtetë e sigurtë, jo për t’u vënë në pikëpyetje. Lutem që të vini menjëherë në këtë pikë. Filloni fuqishëm të besoni se “gjaku i Jezu Krishtit, Birit të shtrenjtë të Perëndisë, na pastron nga çdo mëkat”; se flijimi i Tij është i plotë dhe tërësisht i pranuar prej Perëndisë në vendin e njeriut kështu që Ai që beson në Jezusin nuk është i dënuar. Besoni këto të vërteta ashtu siç besoni çdo thënie tjetër, sepse ndryshimi midis besimit të zakonshëm dhe besimit shpëtimtar qëndron kryesisht në pikat ku ushtrohet. Besoni dëshminë e Perëndisë po ashtu si besoni dëshminë e vetë atit ose miku tuaj. “Në qoftë se ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Perëndisë është më e madhe.”
Deri këtu keni bërë përparim drejt besimit; veçse një përbërës më shumë nevojitet për ta plotësuar dhe ai është mirëbesimi. Zotojani veten Perëndisë të plotmëshirshëm; preheni shpresën tuaj në ungjillin e hirshëm; mirëbesojani shpirtrat tuaja Shpëtimtarit që vdiq dhe që tani jeton; lani mëkatet tuaja në gjakun shlyes; pranoni drejtësinë e Tij të përkryer dhe gjithçka është mirë. Mirëbesimi është gjaku i jetës së besimit; nuk ka besim shpëtimtar pa të. Puritanët ishin të mësuar ta shpjegonin besimin me fjalën “prehje.” Do të thoshte të mbështetesh mbi një gjë. Mbështetuni me të gjithë peshën tuaj në Krishtin. Do të ishte një ilustrim më i mirë akoma duke thënë, bini sa gjerë e gjatë dhe qëndroni në Shkëmbin e Kohërave. Hidhni veten në Jezusin; prehuni në Të; kushtojani veten Atij. Mbasi kjo është bërë, keni ushtruar atëherë besim shpëtimtar. Besimi nuk është një gjë e verbër, sepse besimi fillon me njohuri. Nuk është një gjë spekulative, sepse besimi beson fakte për të cilat është i sigurtë. Nuk është një gjë jopraktike, ëndërrimtare, sepse besimi mirëbeson dhe vë fatin e tij mbi të vërtetën e zbulesës. Kjo është një mënyrë së përshkruari se çfarë është besimi.
Me lejoni që ta provoj sërish. Besimi është të besuarit se Krishti është çfarë është e thënë se Ai është dhe se Ai do të bëjë çfarë Ai ka premtuar të bëjë dhe më pas ta presësh këtë gjë prej Tij. Shkrimet flasin për Jezu Krishtin se është Perëndi, Perëndi në mish njerëzor, se është i përkryer në karakterin e Tij, si i bërë flijim për mëkatin në vendin tonë; si mbajtës i mëkateve tona në vetë trupin e Tij mbi dru. Shkrimi flet për Të si Dikush që i ka dhënë fund shkeljes, mëkatit dhe që solli drejtësinë e përjetshme. Shënimi i shenjtë më tej na thotë se Ai “u ngjall prej se vdekuri,” se Ai “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ne,” se Ai ka shkuar lart në lavdi dhe se ka marrë për zotërim Qiellin për popullin e Tij dhe se së shpejti Ai do të kthehet për të “gjykuar botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.”
Ne na duhet që të besojmë sa më fort se kështu është, sepse kjo është dëshmia e Perëndisë At kur Ai tha, “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni.” Kjo është gjithashtu e dëshmuar prej Perëndisë Frymës së Shenjtë, sepse Fryma i jep dëshmi Krishtit, si në Fjalën e frymëzuar ashtu edhe me anë mrekullish të ndryshme dhe nëpërmjet veprës së Tij në zemrat e njerëzve. Ne duhet ta besojmë këtë dëshmi si të vërtetë.
Besimi beson gjithashtu se Krishti do të bëjë çfarë ka premtuar, se përderisa Ai ka premtuar të mos nxjerrë jashtë askënd që vjen te Ai, është e sigurtë se Ai nuk do të na nxjerrë jashtë nëse vijmë te Ai. Besimi beson se përderisa Jezusi tha se “uji që do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme,” duhet të jetë e vërtetë; dhe nëse ne marrim këtë Ujë të gjalle prej Krishtit, atëherë do të qëndrojë përbrenda nesh dhe do të gufojë përbrenda nesh në ujëra jete të shenjtë. Çfarëdo që Krishti ka premtuar të bëjë, Ai do ta bëjë dhe ne duhet që ta besojmë këtë, po ashtu si dhe të shikojmë për falje, shfajësim, ruajtje dhe lavdi të përjetshme prej duarve të Tij, sipas asaj që Ai u ka premtuar besimtarëve në Të.
Më pas vjen hapi i mëtejshëm i nevojshëm. Jezusi është çfarë Ai ka thënë se është, Jezusi do të bëjë çfarë Ai ka thënë se do të bëjë; prandaj duhet që secili prej nesh t’i besojmë duke thënë, “Ai do të jetë për mua çfarë Ai ka thënë se është dhe Ai do të bëjë për mua çfarë Ai ka premtuar të bëjë; e lë veten time në duart e Tij që është caktuar të shpëtojë, që Ai të mund të më shpëtojë. Prehem mbi premtimin e Tij se Ai do të bëjë po ashtu si ka thënë.” Ky është besim shpëtimtar dhe ai që e ka këtë ka jetë të përjetshme. Cilat do rreziqet dhe vështirësitë e tij, cilado errësira dhe depresioni i tij, cilat do dobësitë dhe mëkatet e tij, Ai që beson kështu në Krishtin Jezus nuk është i dënuar dhe nuk do të dënohet kurrë.
Shërbeftë për të mirë ky shpjegimi im! Kam besimin se mund të përdoret prej Frymës së Perëndisë për ta drejtuar lexuesin tim në paqe të menjëhershme. “Mos ki frikë, vetëm ki besim!” Mirëbeso dhe ji në paqe. Frika ime është se mos lexuesi mbetet i kënaqur me të kuptuarin se çfarë duhet të bëhet dhe prapëseprapë duke mos e bërë kurrë. Më mirë besimi i vërtetë më i varfër i vënë në punë se sa ideali më i mirë që mbetet te spekulimet. Gjëja kryesore është të besosh në Zotin Jezus menjëherë. Mos pyesni për dallimet dhe përkufizimet. Një njeri i uritur ushqehet edhe pse ai nuk e kupton përbërjen e ushqimit, anatominë e gojës së tij ose procesin e tretjes: ai jeton, sepse ushqehet. Një tjetër njeri shumë më i zgjuar kupton tërësisht shkencën e ushqimit, por nëse nuk ha ai do të vdesë, me gjithë njohurinë e tij. Pa dyshim që ka shumë në këtë orë në ferr që e kuptuan doktrinën e besimit, por nuk besuan. Nga ana tjetër, asnjë që ka besuar në Zotin Jezus nuk është flakur jashtë, edhe pse ndoshta nuk ka qenë kurrë i aftë ta përkufizojë me kuptueshmëri besimin e tij. Oh lexues i shtrenjtë, merr Zotin Jezus në shpirtin tënd dhe do të jetosh përherë! “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme.”
9) SI MUND TË ILUSTROHET BESIMI?
Për ta bërë më të qartë akoma çështjen e besimit, do t’ju jap ca ilustrime. Edhe pse vetëm Fryma e Shenjtë mund ta bëjë lexuesin tim të kuptojë, është detyra dhe gëzimi im të siguroj të gjithë dritën që kam mundësi dhe t’i lutem Zotit hyjnor të hapë sy të verbër. Oh sikur lexuesi im të lutej me të njëjtën lutje për veten e tij!
Besimi që shpëton ka analogjinë e tij në trupin njerëzor.
Është syri që shikon. Me anë të syrit ne sjellim në mendje atë që është shumë larg; ne mund të sjellim në mendje diellin dhe yjet e skajshme me anë të një vështrimi të syve. Kështu që me anë të besimit ne e sjellim Zotin Jezus afër nesh dhe edhe pse Ai është larg tutje në Qiell, Ai hyn në zemrën tonë. Vetëm shiko Jezusin, sepse himni është plotësisht i vërtetë—
Ka jetë në një vështrim te i Kryqëzuari,
Ka jetë në këtë çast për ty.
Besimi është dora që mbërthen. Kur duart tona kapin ndonjë gjë, ata bëjnë pikërisht atë çfarë besimi bën kur ai përvetëson Krishtin dhe bekimet e shpëtimit të Tij. Besimi thotë, “Jezusi është imi.” Besimi dëgjon për gjakun falës dhe thërret, “E pranoj atë për të më falur mua.” Besimi e quan të tijin trashëgiminë e Jezusit të vdekur, sepse besimi është trashëgimtari i Krishtit; Ai ia ka dhënë veten dhe gjithçka që zotëron besimit. Merr o mik atë çfarë hiri ka përgatitur për ty. Nuk do të jesh një vjedhës, sepse ke një leje hyjnore: “Ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.” Ai që mund të ketë një thesar thjesht duke e mbërthyer atë do të ishte me të vërtetë i pamend nëse do të mbeste i varfër.
Besimi është goja që ushqehet me Krishtin. Përpara se ushqimi të mund të na ushqejë, duhet që të merret prej nesh. Është një gjë e thjeshtë kjo—të pirit dhe të ngrënit. Ne me dëshirë fusim në gojë atë që është ushqimi ynë dhe më pas e kalojmë poshtë në pjesët tona të brendshme ku tretet dhe thithet në trupin tonë. Pali thotë në Letrën e tij drejtuar Romakëve, në kapitullin e dhjetë, “Fjala është pranë teje, në gojën tënde.” Atëherë, tani, gjithçka që duhet bërë është ta gëlltisësh atë, ta lejosh të shkojë poshtë në shpirt. Oh, sikur njerëzit të kishin oreks! Sepse ai që është i uritur dhe shikon mish përpara tij nuk ka nevojë të mësohet se si të hajë. “Me jep,” tha dikush, “një thikë, një pirun dhe një rast.” Ai ishte tërësisht i përgatitur të bënte atë që mbeste për t’u bërë. Me të vërtetë, një zemër që ka uri dhe etje për Krishtin nuk i duhet veçse të dijë se Ai është i dhënë falas dhe menjëherë do ta marrë Atë. Nëse lexuesi im gjendet në një rast të tillë, le të mos hezitojë të marrë Jezusin, sepse le të jetë i sigurtë se nuk do të qortohet ngaqë ka bërë këtë gjë, sepse “të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë.” Ai kurrë nuk hedh poshtë askënd, por lejon të gjithë ata që vijnë të mbesin bij përjetë.
Punët e kësaj jete ilustrojnë besimin në mënyra të shumta. Bujku mbjell farë të mirë në tokë dhe pret që ajo jo vetëm të jetojë, por edhe të shumëzohet. Ai ka besim në rregullën e besëlidhjes se “mbjellja dhe korrja nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari,” dhe ai është i shpërblyer për besimin e tij.
Tregtari vë parat e tij nën kujdesin e bankierit dhe i mirëbeson si ndershmërisë po ashtu dhe gjendjes së mirë financiare të bankës. Ai ia beson kapitalin e tij duarve të një tjetri dhe ndjehet shumë më rehat se sa sikur ta kishte arin të mbyllur në një kasafortë të hekurt.
Marinari ia beson veten detit. Kur noton ai e ngre këmbën prej fundit dhe qëndron mbi detin e dallgëzuar. Ai nuk do të mund të notonte nëse nuk do ta hidhte veten tërësisht mbi ujë.
Arpunuesi vë metal të çmuar në zjarr që duket i etur për ta konsumuar, por ai e merr përsëri atë të pastruar prej nxehtësisë së furrnaltës.
Nuk mund të mos shikoni kudo në jetë besimin në veprimet midis njerëzve ose midis njeriut dhe ligjit natyror. Tani, pikërisht ashtu siç besojmë në jetën e përditshme, po ashtu na duhet që të besojmë në Perëndinë ashtu siç Ai është i zbuluar në Krishtin Jezus.
Besimi ekziston në njerëz të ndryshëm në shkallë të ndryshme, sipas masës së njohurisë se tyre ose rritjes në hir. Ndonjëherë besimi është pak më i madh se sa thjesht një kapje te Krishti; një ndijim varësie dhe një vullnet për të qenë i varur ashtu. Kur keni zbritur në bregdet do të shikoni molusqe duke u kapur te shkëmbi. Ecni me hap të lehtë mbi shkëmb; jepini një goditje të shpejtë butakut me bastunin tuaj dhe ai bie poshtë. Provojeni në të njëjtën mënyrë me moluskun që vjen më pas. I keni dhënë këtij paralajmërim; ai dëgjoi përplasjen me anë të cilët goditët fqinjin e tij dhe kapet me gjithë fuqinë e tij. Nuk do ta lëvizni kurrë prej vendit; jo ju! Godisni dhe godisni përsëri, por edhe shkëmbin do ta copëtonit më lehtë. Shoku ynë i vogël molusk, nuk di shumë, por ama di të kapet te shkëmbi. Ai nuk e njeh formimin gjeologjik të shkëmbit, por ama kapet aty. Ai mund të kapet dhe ai ka gjetur diçka ku të kapet: ky është i gjithë stoku i tij i njohurisë dhe ai e përdor atë për sigurinë dhe shpëtimin e tij. Është jeta e butakut të kapet te shkëmbi dhe është jeta e mëkatarit të kapet te Jezusi. Mijëra prej njerëzve të Perëndisë nuk kanë më shumë besim se ky; ata dinë mjaftueshëm për t’u kapur te Jezusi me gjithë zemrën dhe shpirtin e tyre dhe kjo mjafton për paqe të tashme dhe siguri të përjetshme. Jezu Krishti është për ta një Shpëtimtar i fortë dhe i fuqishëm, një Shkëmb i palëvizshëm dhe i pandryshueshëm; ata kapen te Ai për jetën e shtrenjtë dhe kjo kapje i shpëton. Lexues, nuk po kapesh akoma te Ai? Bëje këtë gjë menjëherë.
Besimi dallohet kur një njeri mbështetet mbi një tjetër prej njohurisë së epërsisë së tjetrit. Ky është një besim më i lartë; besimi që e di arsyen e varësisë së tij dhe vepron në rrjedhim. Nuk mendoj se butaku di shumë në lidhje me shkëmbin, por teksa besimi rritet ai bëhet gjithnjë e më shumë inteligjent. Një njeri i verbër ia beson veten udhërrëfyesit së tij, sepse e di se shoku i tij mund të shikojë dhe duke mirëbesuar ai ecën atje ku udhërrëfyesi i tij e udhëheq. Nëse njeriu i gjorë ka lindur i verbër, ai nuk e di çfarë është shikimi, por ai e di se ekziston një gjë e tillë dhe se është i zotëruar prej shokut të tij dhe prandaj ai lirisht e vë dorën në dorën e atij që sheh dhe ndjek udhëheqjen e tij. “Ne ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit. “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.” Ky është një imazh shumë i mirë i besimit; ne e dimë se Jezusi ka meritë, pushtet dhe bekim, që ne nuk i zotërojmë dhe prandaj me gëzim ia mirëbesojmë veten tonë Atij për të qenë për ne çfarë ne nuk mund të jemi për veten tonë. Ne i mirëbesojmë Atij ashtu si njeriu i verbër i mirëbeson udhërrëfyesit të tij. Ai kurrë nuk tradhton mirëbesimin tonë, por Ai “nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim.”
Çdo djalosh që shkon në shkollë i duhet që të ushtrojë besim ndërsa mëson. Mësuesi i tij i mëson gjeografi duke i folur për formën e tokës dhe për ekzistence e disa qyteteve të mëdha dhe perandorive. Djali vetë nuk e di se këto gjëra janë të vërteta, përveç se ai i beson mësuesit të tij dhe librave që ka në duar. Kjo është ajo që keni për të bërë me Krishtin nëse keni për t’u shpëtuar; duhet që thjesht të njihni ngaqë Ai jua thotë, të besoni ngaqë Ai ju siguron se kështu është dhe t’i mirëbesoni Atij ngaqë Ai ju premton se rezultati do të jetë shpëtimi. Pothuajse gjithçka që ne dhe unë njohim ka ardhur te ne nëpërmjet besimit. Një zbulim shkencor është bërë dhe ne jemi të sigurtë për të. Ku bazohet besimi ynë? Mbi autoritetin e disa njerëzve erudit të mirënjohur, fama e të cilëve është e padiskutuar. Ne nuk i kemi bërë ose nuk i kemi parë kurrë eksperimentet e tyre, por ne i besojmë dëshmive të tyre. Ju duhet të bëni të njëjtën gjë në lidhje me Jezusin, ngaqë Ai ju mëson disa të vërteta, ju keni për të qenë dishepulli i Tij dhe keni për të besuar fjalët e Tij; ngaqë Ai ka kryer për ju vepra të ndryshme, ju keni për t’u varur te ai dhe t’ia besoni veten Atij.
Ai është pafundësisht mbi ju dhe ia paraqet veten e Tij mirëbesimit tuaj si Mësuesi dhe Zoti juaj. Nëse e merrni Atë dhe Fjalët e Tij, atëherë do të shpëtoheni.
Një tjetër dhe një formë më e lartë besimi është ai besim që del nga dashuria. Pse një vocërrak i mirëbeson atit të tij? Arsyeja pse fëmija i mirëbeson atit të tij është ngaqë ai e do atë. Bekuar dhe lum ata që kanë një besim të ëmbël në Jezusin, i ndërthurur me zemërdashuri të thellë për Të, sepse ky është një mirëbesim prehës. Këta dashuronjës së Jezusit janë të mahnitur me karakterin e Tij dhe të kënaqur me misionin e Tij, ata rrëmbehen prej dashamirësisë që Ai ka shfaqur dhe prandaj nuk mund të mos i mirëbesojnë Atij, sepse ata e admirojnë, adhurojnë dhe e duan Atë kaq shumë.
Mirëbesimi i dashur në Shpëtimtarin mund të ilustrohet kështu. Një zonjë është gruaja e mjekut më të njohur të kohës. Ajo mbërthehet prej një sëmundjeje të rrezikshme dhe është e vënë poshtë prej forcës së sëmundjes; prapëseprapë ajo çuditërisht është e qetë dhe e shtruar, sepse burri i saj e ka bërë këtë sëmundje studimin e tij të veçantë dhe ka shëruar mijëra që kishin vuajtur në mënyrë të ngjashme. Ajo nuk është aspak e trazuar, sepse ajo ndjehet përsosmërisht e sigurtë në duart e dikujt kaq të shtrenjtë për të dhe në të cilin aftësia dhe dashuria janë të shkrirë në shfaqjet e tyre më fisnike. Besimi i saj është i arsyeshëm dhe i natyrshëm: burri i saj, prej çdo pikëpamje, e meriton këtë prej saj. Ky është lloji i besimit që më i lumturi i besimtarëve ushtron ndaj Krishtit. Nuk ka mjek si Ai, askush nuk mund të shpëtoje si Ai mund të shpëtojë; ne e duam Atë dhe Ai na do dhe prandaj ne e vendosim veten në duart e Tij, pranojmë çfarëdo që Ai porosit dhe bëjmë çfarëdo që Ai urdhëron. Ne ndjejmë se asgjë nuk mund të këshillohet gabimisht ndërsa Ai është drejtuesi i punëve tona, sepse Ai na do shumë për të na lenë të vdesim ose të vuajmë edhe një sëmbim të vetëm të panevojshëm.
Besimi është rrënja e bindjes dhe kjo gjë mund të shikohet qartë në punët e jetës. Kur një kapiten i beson pilotit për të drejtuar anijen e tij në port, ai manovron anijen sipas drejtimit të tij. Kur një udhëtar i mirëbeson një udhërrëfyesi për ta udhëhequr atë në një shteg malor, ai ndjek udhën që udhërrëfyesi i tij tregon. Kur një pacient i beson një mjeku, ai me kujdes ndjek këshillat dhe porositë e tij. Besimi që refuzon t’i bindet urdhëresave të Shpëtimtarit është një mashtrim dhe nuk do ta shpëtojë kurrë shpirtin. Ne i besojmë Jezusit për të na shpëtuar; Ai na jep udhëzime në lidhje me rrugën e shpëtimit; ne ndjekim këto udhëzime dhe shpëtohemi. Lexuesi im, mos e harroftë këtë gjë. Mirëbesoi Jezusit dhe vër në provë mirëbesimin tënd duke bërë çfarëdo që Ai të urdhëron.
Një forme fisnike e besimit ngrihet prej njohurisë së sigurtë; kjo vjen prej rritjes në hir dhe është besimi që beson Krishtin, sepse e njeh Atë dhe i mirëbeson Atij, sepse e ka provuar të jetë besnik në mënyrë të padështueshme. Një e krishterë e vjetër e kishte për zakon të shkruante P dhe V në anën e Biblës së saj kurdo herë që pati provuar dhe vërtetuar një premtim. Sa e lehtë që është t’i mirëbesosh një Shpëtimtari të provuar dhe të vërtetuar! Ju akoma nuk mund ta bëni këtë, por ama nuk do të vonojë. Çdo gjë duhet të ketë një fillim. Do të ngriheni në besim të fortë në kohën e duhur. Ky besim i pjekur nuk kërkon shenja apo prova, por beson trimërisht. Shikoni besimin e kryemarinarit—shpesh jam habitur me të. Ai liron kabllon dhe zhduket prej syve larg tokës. Me ditë, jave ose edhe muaj, ai kurrë nuk shikon velë apo breg; prapëseprapë ai shkon përpara ditë e natë pa frikë derisa një mëngjes e gjen veten pikërisht përballë limanit të dëshiruar drejt të cilit qe drejtuar. Si vallë e gjeti udhën mbi atë oqean të pagjurmë? Ai i mirëbesoj kompasit, almanakut detar, tejqyrës së tij dhe trupave qiellore dhe duke iu bindur prirjes së tyre, pa parë tokë, ai ka mbajtur timonin kaq me përpikmëri sa nuk i duhet të ndryshojë as dhe një pikë për të hyrë në port. Është një gjë e mrekullueshme—ky lundrim ose çarje përpara pa parë. Shpirtërisht është një gjë e bekuar të lësh brigjet e shikimit e të ndjenjës dhe t’u thuash, “Mirupafshim” ndjenjave të brendshme, providencave të gëzueshme, shenjave, provave dhe kështu me radhë. Është e lavdishme të jesh tutje larg në oqeanin e dashurisë hyjnore duke besuar në Perëndinë dhe duke u drejtuar për në Qiell drejtpërsëdrejti nëpërmjet udhëheqjes të Fjalës së Perëndisë. “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”; këtyre do t’i jepet një hyrje e bollshme në fund dhe një udhëtim i sigurtë gjatë udhës. A nuk do ta vendosë lexuesi im mirëbesimin e tij te Perëndia, në Jezu Krisht. Këtu unë prehem me mirëbesim të gëzueshëm. Vëlla, eja me mua dhe besoi Atit dhe Shpëtimtarit tonë. Eja menjëherë.
10) PSE JEMI TË SHPËTUAR NEPËRMJET BESIMIT?
Pse besimi është i zgjedhur si kanali i shpëtimit tonë? Pa dyshim që kjo pyetje ngrihet shpesh. “Me anë të hirit jeni shpëtuar nëpërmjet besimit,” është me siguri doktrina e Shkrimit të Shenjtë dhe rregulla e Perëndisë, por pse është kështu? Pse është besimi që është zgjedhur dhe jo shpresa, ose dashuria ose durimi ?
Na përket që të jemi modestë në përgjigjen e një pyetje të tillë, sepse udhët e Perëndisë nuk mund të kuptohen gjithmonë; po ashtu nuk na lejohet t’i hetojmë me mendjemadhësi. Me përulësi do të përgjigjemi se, aq sa mund të themi, besimi është zgjedhur si kanali i hirit, sepse ka një përshtatje të natyrshme në besimin për t’u përdorur si marrës. Merr me mend se jam gati t’i jap një të varfri lëmoshë: ia shtie në dorë—pse? Epo ngaqë do të ishte e vështirë t’ia shtije në vesh ose t’ia vije mbi këmbë; dora duket e krijuar me qëllim për të marrë. Po ashtu, në ndërtimin tonë mendor, besimi është i krijuar me qëllim për të qenë një marrës: është dora e njeriut dhe ka një përshtatshmëri të marrjes së hirit nëpërmjet tij.
Më lejoni që ta shtjelloj këtë pikë shumë qartë. Besimi që merr Krishtin është një akt po aq i thjeshtë sa kur fëmija juaj merr një mollë prej jush, sepse ju e zgjatni dhe premtoni t’ia jepni mollën nëse ai vjen për të. Besimi dhe marrja kanë të bëjnë vetëm me një mollë, por ato përbëjnë pikërisht të njëjtin akt ashtu si besimi që ka të bëjë me shpëtimin e përjetshëm. Ajo çfarë dora e fëmijës është për mollën, është besimi juaj për shpëtimin e përkryer të Krishtit. Dora e fëmijës nuk e krijon mollën as nuk e përmirëson atë as nuk e meriton; ajo veçse e merr atë dhe besimi është i zgjedhur nga Perëndia për të qenë marrësi i shpëtimit, sepse nuk pretendon të krijojë shpëtimin as të ndihmojë në të, por është i kënaqur ta marrë përulësisht atë. “Besimi është gjuha që lyp faljen, dora që e merr atë dhe syri që e shikon atë, por nuk është çmimi që e blen atë.” Besimi kurrë nuk merr si mbrojtje vetën e vet, ai mbështet të gjithë argumentin e tij te gjaku i Krishtit. Ai bëhet një shërbyes i mirë për t’i sjellë shpirtit pasuritë e Zotit Jezus, sepse ai e pranon se nga i tërheq ato dhe njeh se është vetëm hiri ai që ia ka besuar.
Besimi, përsëri, është pa dyshim i zgjedhur, sepse i jep të gjithë lavdinë Perëndisë. Është nëpërmjet besimit që të mund të jetë prej hirit dhe është prej hirit që të mos te ketë mburrje, sepse Perëndia nuk mund ta durojë krenarinë. “Mendjemadhin e njeh nga larg,” dhe Ai nuk ka nevojë t’u afrohet. Ai nuk do të japë shpëtim në një mënyrë që do të sugjeronte ose ushqente mburrjen. Pali tha, “jo nga vepra, që të mos mburret askush.” Tani, besimi përjashton çdo mburrje. Dora që merr lëmoshë nuk thotë, “Kam për t’u falënderuar për pranimin e lëmoshës;” kjo do të ishte absurde. Kur dora i mbart bukë gojës, nuk i thotë trupit, “Me falëndero, sepse të ushqej.” Është shumë gjë e thjeshtë ajo që bën dora edhe pse një gjë shumë e nevojshme; dhe ajo kurrë nuk përvetëson lavdi për veten për çfarë bën. Kështu Perëndia ka zgjedhur besimin për të marrë dhuratën e pashprehshme të hirit të Tij, sepse besimi nuk mund ta nderojë veten, por duhet që të adhurojë Perëndinë e hirshëm që është dhënësi i çdo të mirë. Besimi vë kurorën mbi kokën e duhur dhe prandaj Zoti Jezus e kishte zakon ta vendoste kurorën mbi kokën e besimit, duke thënë, “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!”
Më pas, Perëndia përzgjedh besimin si kanalin e shpëtimit, sepse është një mënyrë e sigurtë, duke lidhur njeriun me Perëndinë. Kur një njeri i mirëbeson Perëndisë, ka një pikë bashkimi midis tyre dhe ky bashkim garanton bekimin. Besimi na shpëton, sepse na bën që të kapemi te Perëndia dhe kështu na sjell në lidhje me Të. Kam përdorur shpesh ilustrimin që pason, por më duhet që ta përsëris, sepse nuk mund të mendoj dot për ndonjë më të mirë. Kam dëgjuar se para ca vitesh një varkë ishte përmbysur në ujëvarën e Niagarës dhe dy burra u rrëmbyen nga rryma, ndërsa njerëz në breg ia dolën t’i zgjatnin një litar i cili u kap nga të dy. Njëri prej tyre u mbajt fort te ai dhe u tërhoq shëndosh e mirë në breg, por tjetri, duke parë një trung që po pluskonte aty pranë, pa e menduar e la litarin dhe iu qep trungut, sepse ishte më i madh se litari dhe në pamje të parë më i mirë për t’iu ngjitur. Sa keq! trungu me njeriun shkoi drejt e në honin e madh, sepse nuk kishte lidhje midis trungut dhe bregut. Madhësia e trungut nuk i përfitoi atij që e mbërtheu atë; kishte nevojë për një lidhje me bregun për të prodhuar siguri. Kështu kur një njeri i beson veprave të tij ose riteve ose çfarë do lloj gjëje të këtij lloji, ai nuk do të shpëtohet, sepse nuk ka nyje midis tij dhe Krishtit, por besimi, edhe pse mund të duket se është si një litar i hollë, është në duart e Perëndisë të madh në anën e bregut; fuqi e pafundme tërheq në piken lidhëse dhe kështu e nxjerr njeriun prej shkatërrimit. Oh bekueshmëria e besimit, sepse na bashkon me Perëndinë!
Përsëri besimi është i zgjedhur, sepse ai ka të bëje me burimet e veprimit. Edhe në gjëra të zakonshme një farë besimi qëndron në rrënjën e gjithçkaje. Pyes veten nëse do ta kisha gabim sikur të thosha se nuk bëjmë kurrë ndonjë gjë përveçse me anë të një farë besimi. Nëse eci përgjatë dhomës sime të punës, është sepse besoj se këmbët e mia do të mund të më mbajnë. Një njeri ushqehet, sepse ai beson në nevojën e ushqimit; ai shkon në punë, sepse ai beson në vlerën e parasë; ai pranon një çek, sepse ai beson se banka do ta paguaje atë. Kolombi zbuloi Amerikën, sepse ai besoi se kishte një tjetër kontinent përtej oqeanit; dhe Etërit Pelegrinë e kolonizuan atë sepse ata besuan se Perëndia do të ishte me ta në ato brigje shkëmbore. Më të shumtat e veprave të mëdha kanë lindur prej besimit; për të mirë ose të keq, besimi bën mrekulli nëpërmjet njeriut ku banon. Besimi në formën e tij natyrore është një forcë mbizotëruese që hyn në çfarëdo lloj veprimi njerëzor.
Ndoshta ai që përqesh besimin në Perëndinë është njeriu që në një formë të ligë ka më shumë besim; me të vërtetë, ai bie zakonisht në një syleshtësi që nëse nuk do të ishte e poshtër, me siguri që do të ishte qesharake. Perëndia i jep shpëtimin besimit, sepse duke krijuar besimin përbrenda nesh Ai prek kështu forcën lëvizëse të vërtetë të emocioneve dhe veprimeve tona. Ai në një farë mënyre ka marrë në zotërim baterinë dhe tani Ai mund të dërgojë rrymën e shenjtë në çdo pjesë të natyrës sonë. Kur ne besojmë në Krisht dhe kur zemra ka ardhur në zotërimin e Perëndisë, atëherë ne jemi të shpëtuar prej mëkatit dhe udhëhiqemi drejt pendimit, shenjtërisë, zellit, lutjes, përkushtimit dhe çdo gjëje tjetër të hirshme. “Ajo çfarë vaji është për rrotat, çfarë peshat janë për sahatin, çfarë krahët janë për një zog, çfarë velat janë për një anije, besimi është për të gjitha detyrat dhe shërbimet e shenjta.” Kini besim dhe të gjitha hiret e tjera do të ndjekin pas dhe do të vazhdojnë të mbajnë drejtimin e tyre.
Besimi, përsëri, ka pushtetin të punojë me dashuri; ai ndikon ndjenjat në afrimin ndaj Perëndisë dhe tërheq zemrën mbas gjërave më të mira. Ai që beson në Perëndi pa dyshim do të dojë Perëndinë. Besimi është një akt i kuptimit, por ai rrjedh gjithashtu edhe prej zemrës. “Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi”; dhe prandaj Perëndia i jep shpëtimin besimit, sepse ai qëndron ngjitur me ndjenjat dhe është i afërt me dashurinë; dhe dashuria është prindi dhe mëndesha e çdo ndjenjë dhe veprimi të shenjtë. Dashuria ndaj Perëndisë është bindje, dashuria ndaj Perëndisë është shenjtëri. Të duash Perëndinë dhe të duash njeriun do të thotë t’i përputhesh imazhit të Krishtit dhe ky është shpëtimi.
Më tepër akoma, besimi krijon paqe dhe gëzim; ai që e ka atë prehet dhe është i qetë, është i kënaqur dhe i gëzuar dhe kjo është një përgatitje për qiellin. Perëndia i jep të gjitha dhuratat qiellore besimit për këtë arsye midis të tjerave se besimi vepron përbrenda nesh jetën dhe frymën që kanë për t’u shfaqur përjetësisht në botën e sipërme dhe më të mirë. Besimi na vesh me mburojë për këtë jetë dhe edukim për jetën e ardhshme. E mundëson një njeri që të jetojë dhe të vdesë pa frikë; e përgatit si për veprim ashtu edhe për vuajtje; dhe prandaj Zoti e zgjedh atë si mjetin komunikues më të duhur për të na përçuar hir dhe kështu duke na siguruar për lavdi.
Me siguri që besimi bën për ne atë që asgjë tjetër nuk mund të bëjë; na jep gëzim dhe paqe dhe na bën që të hyjmë në prehje. Pse njerëzit përpiqen të fitojnë shpëtimin me mënyra të tjera? Një predikues i vjetër thotë, “Një shërbëtor i pamend që i urdhërohet të hapë derën, i vë shpatullën dhe shtyn me gjithë fuqinë e tij, por dera nuk lëviz dhe ai nuk mund të hyjë, pavarësisht forcës që mund të përdorë. Një tjetër vjen me një çelës dhe me lehtësi ç’kyç derën dhe hyn menjëherë. Ata që do të donin të shpëtohen me anë të veprave janë duke shtyrë portën e qiellit pa sukses, por besimi është çelësi që hap portën menjëherë.” Lexues, a nuk do ta përdorësh valle atë çelës? Zoti të urdhëron të besosh në Birin e Tij të shtrenjtë, prandaj ti mund të bësh kështu; dhe duke bërë kështu do të jetosh. A nuk është ky vallë premtimi i ungjillit, “ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar”? {#Marku 16 :16} Cila mund të jetë vërejtja jote ndaj një mënyre shpëtimi që lavdëron mëshirën dhe urtësinë e Perëndisë tonë të hirshëm?
11) SA KEQ! NUK MUND TË BËJ ASGJË!
MBASI ZEMRA në ankth ka pranuar doktrinën e shlyerjes dhe ka mësuar të vërtetën e madhe se shpëtimi është me anë të besimit në Zotin Jezus, shpesh është e trazuar rëndë me një ndijim paaftësie kundrejt asaj që është e mirë. Shumë janë duke psherëtirë, “Nuk mund të bëj asgjë.” Ata nuk po e nxjerrin këtë si justifikim, por e ndjejnë si një barrë të përditshme. Ata do të donin nëse do të mundnin. Secili prej tyre mund të thotë ndershmërisht, “ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.”
Kjo ndjenjë duket se e anulon dhe e zbraz të gjithë ungjillin, sepse cila është dobia e ushqimit për një njeri të uritur nëse nuk mund ta marrë dot atë? Ç’vlerë ka lumi i ujit të jetës nëse ndonjëri nuk mund të pijë dot? Po kujtojmë historinë e doktorit dhe fëmijës së gruas së varfër. Mjeku i urtë i tha nënës se fëmija i saj i vogël së shpejti do të ndjehej më mirë nën mjekimin e duhur, por ishte absolutisht e nevojshme që djali i saj të pinte rregullisht verën më të mirë dhe të shpenzonte një periudhë të caktuar kohe në një prej vendeve klimaterike gjermane. Këtë, për një të ve që me zor mund të siguronte bukë për të ngrënë! Tani, zemrës së trazuar ndonjëherë i duket se ungjilli i thjeshtë “Beso dhe jeto,” nuk është, fundi i fundit, dhe aq i thjeshtë, sepse i kërkon mëkatarit të gjorë të bëjë atë që nuk mund ta bëjë dot. Për ndërgjegjezgjuarin, por gjysmë i mësuar, i duket se këtu mungon një hallkë; ja ku është shpëtimi i Jezusit, por si mund të arrihet vallë? Shpirti është pa forcë dhe nuk e di se si t’ia bëjë. Ai qëndron para qytetit të strehimit dhe nuk mund të hyjë brenda portës.
A është e plotësuar kjo mungesë fuqie në planin e shpëtimit. Po. Vepra e Zotit është e përkryer. Ajo fillon atje ku ne jemi dhe nuk kërkon asgjë prej nesh për përmbushjen e saj. Kur Samaritani i mirë pa shtegtarin të dergjur i plagosur dhe gjysmë i vdekur ai nuk i tha që të ngrihej dhe të vinte te ai dhe t’i ngjitej gomarit për të shkuar në bujtinë. Jo, “ai u afrua aty ky ai ishte,” dhe i shërbeu, e ngriti lart mbi kafshën dhe e mbajti deri në bujtinë. Kështu Zoti Jezus na trajton në gjendjen tonë të ulët dhe të gjorë.
Pamë se Perëndia shfajëson dhe se Ai shfajëson të paudhin dhe se Ai i shfajëson me anë të besimit në gjakun e çmuar të Jezusit; tani kemi për të parë gjendjen ku janë këto të paudhë kur Jezusi vë në vepër shpëtimin e tyre. Shumë ndërgjegjezgjuar janë jo vetëm të trazuar në lidhje me mëkatin e tyre, por edhe në lidhje me dobësinë e tyre morale. Ata nuk kanë forcë me anë të cilës t’i shpëtojnë batakut ku kanë rënë, as të qëndrojnë jashtë tij në ditët e mëvonshme. Ata vajtojnë jo vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për atë që nuk mund të bëjnë. E ndjejnë veten të pafuqishëm, të pandihmë dhe shpirtërisht pajetë. Mund të tingëllojë e çuditshme të thuash se ata ndjehen të vdekur dhe prapëseprapë ashtu është. Ata e quajnë veten e tyre të paaftë për çfarëdo gjëje të mirë. Ata nuk mund të udhëtojnë në udhën për në Qiell, sepse kockat e tyre janë të thyera. “Asnjë prej trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij;” në fakt, ata janë “pa forcë.” Fatmirësisht, është e shkruar, si lëvdatë e dashurisë së Perëndisë për ne:
Ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
{#Romakëve 5 :6}
Këtu ne shikojmë pafuqinë e ndërgjegjshme të përkrahur—e përkrahur prej ndërmjetësimit të Zotit Jezus. Pafuqia jonë është e skajshme. Nuk është e shkruar, “Ndërsa ishim pak a shumë të dobët, Krishti vdiq për ne;” ose, “Ndërsa patëm vetëm pak forcë,” por përshkrimi është absolut dhe i pakufizuar; “Ndërsa ishim pa forcë.” Ne nuk patëm as dhe një forcë që mund të na ndihmonte në shpëtimin tonë; fjalët e Zotit tonë ishin jashtëzakonisht të vërteta, “Pa Mua nuk mund të bëni asgjë.” Mund të shkoj më tej se teksti dhe t’ju kujtoj për dashurinë e madhe me të cilën Zoti na deshi, edhe kur “ishim të vdekur në fajet dhe mëkatet tona.” Të jesh i vdekur është më shumë se të jesh pa forcë.
Gjëja ku i gjori mëkatar i pafuqi duhet të fiksojë mendjen dhe ta mbajë fort si të vetmin themel të shpresës së tij është siguria hyjnore se “Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Besoni këtë dhe çdo pafuqi do të zhduket. Ashtu si miti i Midës që kthente gjithçka në ar me anë të prekjes së tij, po ashtu është e vërtetë për besimin se ky shndërron çdo gjë që prek në ar. Vetë nevojat dhe dobësitë tona bëhen bekime kur besimi merret me to.
Le të ndalemi pak në disa forma të kësaj mungese fuqie. Si fillim, një njeri do t thotë, “Zotëri, nuk më duket se kam fuqi për të mbledhur mendimet e mia dhe t’i mbaj të fiksuara mbi ato tema solemne që kanë të bëjnë me shpëtimin tim; një lutje e shkurtër është gati e tepërt për mua. Është kështu pjesërisht, ndoshta, prej dobësisë natyrore, pjesërisht sepse i kam bërë dëm vetes me anë të hutimit dhe pjesërisht gjithashtu sepse shqetësohem prej halleve të kësaj bote, kështu që nuk jam i aftë për ato mendime të larta që janë të nevojshme para se një shpirt të mund të shpëtohet.” Kjo është një formë shumë e zakonshme dobësie mëkatare. Vëre këtë! Ti je pa fuqi në këtë pikë dhe ka shumë si ty. Ata nuk mund të ndjekin dot një fill mendimi të qëndrueshëm për të shpëtuar jetët e tyre. Shumë burra dhe gra të gjorë janë analfabetë dhe të pamësuar dhe këtyre do t’i dukej mendimi i thellë shumë punë e rëndë. Të tjerë janë kaq mendje cekët dhe mendjelehtë prej natyre sa po aq sa nuk mund të fluturojnë aq do të mundnin të ndiqnin një proces të gjatë argumentimi dhe arsyetimi. Ata nuk do të mund të arrijnë kurrë në njohurinë e ndonjë misteri të thellë edhe sikur të shpenzonin gjithë jetën e tyre në këtë përpjekje. Kështu që nuk ke pse të dëshpërohesh: ajo që është e nevojshme për shpëtimin nuk është mendimi i rrjedhshëm, por një mbështetje e thjeshtë te Jezusi. Mbahu mbi këtë fakt të vetëm—”Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Kjo e vërtetë nuk do të kërkojë prej teje ndonjë kërkim të thellë ose arsyetim të theksuar ose argument bindës. Ja ku qëndron: “Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Fikso mendjen tënde mbi këtë dhe prehu këtu.
Ky fakt i lavdishëm, i hirshëm, i madh qëndroftë në frymën tënde derisa të parfumojë të gjitha mendimet e tua dhe të të bëjë të gëzohesh edhe pse je pa forcë duke parë se Zoti Jezus është bërë forca dhe kënga jote, po, Ai është bërë shpëtimi yt. Sipas Shkrimeve është një fakt i zbuluar se në kohën e tij Krishti vdiq për të paudhët atëherë kur ata ishin akoma pa forcë. I ke dëgjuar këto fjalë me qindra herë, ndoshta, dhe prapëseprapë nuk e ke dalluar kurrë më përpara kuptimin e tyre. Këto fjalë kanë një shije ngushëlluese, apo jo? Jezusi nuk vdiq për drejtësinë tonë, por Ai vdiq për mëkatet tona. Ai nuk erdhi për të na shpëtuar ngaqë ia vlenim që të shpëtoheshim, por sepse ne ishim tërësisht të pavlerë, të rrënuar dhe të ç’bërë. Ai nuk erdhi në tokë për shkak të ndonjë arsye të gjendur përbrenda nesh, por vetëm prej arsyesh që Ai i solli prej vetë dashurisë së Tij hyjnore. Në kohën e tij Ai vdiq për ata që Ai i përshkruan jo si të perëndishëm, por si të paudhë, duke i vënë atyre mbiemrin më të pashpresë. Nëse keni veç pak inteligjencë, prapëseprapë me atë që keni mbërtheni këtë të vërtetë që i përshtatet zotësisë më të vogël, dhe që mund të gëzojë edhe zemrën më të rënduar. Ky tekst qëndroftë nën gjuhën tuaj si një kafshatë e ëmbël derisa të shkrihet në zemrën tuaj dhe të parfumojë gjithë mendimet tuaja; dhe atëherë pak rëndësi do të ketë nëse këto mendime do të jenë të shpërndara si gjethe vjeshte. Personat që nuk kanë shkëlqyer kurrë në shkencë, as që nuk kanë shfaqur ndonjë origjinalitet mendimi, kanë qenë prapëseprapë plotësisht të aftë të pranojnë doktrinën e kryqit, dhe janë shpëtuar si rrjedhim. E pse jo ti?
Dëgjoj një tjetër njeri të klithë, “Oh, zotëri mungesa ime e fuqisë qëndron kryesisht në këtë, se nuk mund të pendohem mjaftueshëm!” Njerëzit kanë me të vërtetë një ide të habitshme në lidhje me pendimin! Shumë ia merr mendja se kaq shumë lot duhen derdhur dhe kaq shumë psherëtima duhen lëshuar dhe kaq shumë dëshpërim duhet duruar. Nga vjen ky nocion i paarsyeshëm? Mosbesimi dhe dëshpërimi janë mëkate dhe prandaj nuk mund ta kuptoj dot se si ato mund të jenë elementë përbërës të pendesës së pranueshme; prapëseprapë ka shumë që i shikojnë si pjesë të nevojshme të përjetimit të një të krishteri të vërtetë. Ata janë në gabim të madh. Sido që të jetë, e di se çfarë duan të thonë, sepse në ditët e errësirës sime ndjeja të njëjtën gjë. Kisha dëshire të pendohesha, por mendoja se nuk mund ta bëja dot dhe prapëseprapë ndërkohë isha duke u penduar. Mund të tingëllojë gjë e çuditshme, por ndjehesha se nuk mund të ndjeja. Shkoja në ndonjë cep dhe qaja sepse nuk mund të qaja dhe rashë në trishtim të hidhur, sepse nuk mund të trishtohesha për mëkatin. Çfarë rrëmuje që është gjithçka kur në gjendjen tonë mosbesimtare fillojmë të gjykojmë vetë gjendjen tonë! Është si një njeri i verbër duke parë sytë e tij. Zemra ime tretej përbrenda prej frikës, sepse mendoja se zemra ime ishte po aq e fortë sa një diamant. Zemra ime thyhej tek mendonte se nuk mund të thyhej dot. Tani mund të kuptoj se po shfaqja pikërisht atë gjënë që mendoja se nuk e zotëroja, por atëherë nuk e dija se ku isha.
Oh sikur të mund të ndihmoj të tjerë në dritën që gëzoj tani! Me gjithë zemër do të doja të thosha një fjalë që të mund të shkurtoja periudhën e çoroditjes së tyre. Do të doja të thosha disa fjalë të shkoqura dhe t’i lutem “Ngushëlluesit: t’i hedhë ato në zemër.
Kujto se njeriu që me të vërtetë pendohet nuk është kurrë i kënaqur me vetë pendimin e tij. Ne nuk mund të pendohemi përsosmërisht më shumë se sa mund të jetojmë përsosmërisht. Sado të pastër lotët tonë, do të ketë gjithmonë pak lérë në to: do të ketë diçka për t’u penduar edhe në pendimin tonë më të mirë. Por dëgjo! Të pendohesh është të ndryshosh mendjen në lidhje me mëkatin, në lidhje me Krishtin dhe në lidhje me gjithë gjërat e mëdha të Perëndisë. Ka trishtim të përfshirë në këtë, por pika kryesore është kthimi i zemrës prej mëkatit te Krishti. Nëse gjendet ky kthim, ke thelbin e pendimit të vërtetë edhe pse asnjë alarmim ose dëshpërim mund mos të kenë hedhur hijen e tyre në mendjen tënde. Nëse nuk mund të pendohesh ashtu si do të doje, do të ndihmohesh shumë për këtë nëse beson fort se “Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Mendo për këtë përsëri dhe përsëri. Si mund të vazhdosh të jesh zemërngurtë kur di se prej dashurisë supreme “Krishti vdiq për të paudhët?” Më lejo të të bind që të arsyetosh me veten kështu: Kështu i paudhë siç jam, edhe pse kjo zemër prej çeliku nuk zbutet, edhe pse godas më kot mbi kraharorin tim, prapëseprapë Ai vdiq për një si unë, përderisa Ai vdiq për të paudhët. Oh e besofsha këtë dhe e ndjefsha fuqinë e saj në zemrën time prej stralli!
Fshi çdo mendim tjetër prej shpirtit tënd, ulu dhe përsiat thellë mbi këtë shfaqje të shkëlqyeshme dashurie të pamerituar, të papritur të pashoqe, “Krishti vdiq për të paudhët.” Lexo përsëri me kujdes tregimin e vdekjes së Zotit ashtu siç e gjen në katër ungjijtë. Nëse ndonjë gjë mund të shkrijë zemrën tënde kokëfortë, do të jetë një shikim i vuajtjeve të Jezusit dhe e konsideratës se Ai i vuajti të gjitha këto për armiqtë e Tij.
O Jezus! të ëmbla lotët që derdh,
Ndërsa gjunjëzohem nën këmbët e tua
Vështroj kokën tënde të plagosur, të zalisur
Dhe ndjej të gjitha vuajtjet e Tua.
Zemra ime tretet teksa të shikon të gjakosur
Kjo zemër më përpara kaq e ngurtësuar;
Të dëgjoj tek i del në mbrojtje fajtorit,
Dhe dhembja shtohet më shumë.
Ishte për mëkatarin për të cilin vdiqe,
Dhe unë një mëkatar jam:
I bindur prej syrit tënd shpirtdhënës,
I thyer prej dorës Tënde të tejshpuar.
Rej Palmer
Me siguri që kryqi është ajo shufër çudi brese që mund të nxjerrë ujë jashtë prej shkëmbit. Nëse kuptoni kuptimin e plotë të flijimit hyjnor të Jezusit, duhet që të pendoheni prej kundërvënies së dikurshme ndaj Dikujt që është kaq plot me dashuri. Është e shkruar, “Ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.” Pendimi nuk do t’ju bëjë të shikoni Krishtin, por të shikoni Krishtin do t’ju japë pendimin. Nuk mund ta pandehni pendimin tuaj për një Krisht, por ju duhet të shikoni për pendimin te Krishti. Fryma e Shenjtë, duke na kthyer te Krishti, na kthen prej mëkatit. Largoni sytë pra, prej pasojës te shkaku, prej pendimit tuaj te Zoti Jezus, i Cili është lartësuar për të dhënë pendimin.
Kam dëgjuar një tjetër të thotë, “Jam i munduar me mendime të tmerrshme. Kudo që shkoj, blasfemi përvidhen në mendjen time. Shpesh në punë një sugjerim i kobshëm vjen me forcë te unë dhe madje edhe në shtrat zgjohem i tronditur prej pëshpërimave të të ligut. Nuk mund t’i shpëtoj dot këtij tundimi të tmerrshëm.” Mik, e di se çfarë do të thuash me këtë, sepse vetë unë jam gjuajtur prej këtij ujku. Një njeri mund t’i kontrollojë mendimet e tij kur ato janë të ndërsyera prej djallit po aq sa shpreson të luftojë një luzmë mizash me një shpatë. Një shpirt i gjorë i tunduar, i mësymur prej sugjerimeve satanike është si ai udhëtari për të cilin kam lexuar, të cilit një luzmë grenzash të zemëruara iu vërtitën kokës, veshëve dhe gjithë trupit. Ai nuk mund t’i largonte dot as të shpëtonte prej atyre. Ato e pickuan kudo dhe i kërcënuan jetën. Nuk habitem se ndjehesh se je pa forcë për të ndalur këto mendime të shëmtuara dhe të ndyra që satanai derdh në shpirtin tënd, por prapëseprapë do të doja që të të sillja në mendje Shkrimin përpara nesh—”Ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Jezusi e dinte se ku ishim dhe se ku duhet të ishim; Ai e pa se ne nuk mund ta mposhtnim dot princin e pushtetit të ajrit; Ai e dinte se do të ishim shumë të shqetësuar prej tij, por edhe atëherë, kur Ai na pa në atë gjendje, Krishti vdiq për të paudhët. Hidh spirancën e besimit tënd mbi këtë. Vetë djalli nuk mund të të thotë se nuk je i paudhë; beso atëherë se Jezusi vdiq edhe për ata ashtu si ti. Kujto mënyrën se si Martin Luteri i preu kokën djallit me vetë shpatën e tij. “Oh,” i tha djalli Martin Luterit, “ti je një mëkatar.” “Po,” tha ai, “Krishti vdiq për të shpëtuar mëkatarët.” Kështu ai e goditi me vetë shpatën e tij. Fshihu në këtë strehë dhe qëndro aty: “Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Nëse qëndron në këtë të vërtetë, mendimet e tua blasfemuese për të cilat nuk ke forcë t’i përzësh tutje, do të largohen vetë, sepse satanai do të shikojë se nuk po i del gjë duke të të munduar me to.
Këto mendime, nëse i urren, nuk janë të tuat, por janë të shtëna prej djallit, për të cilat ai është i përgjegjshëm dhe jo ti. Nëse lufton kundra tyre, ato nuk janë më shumë tuajat se ç’janë mallkimet dhe gënjeshtrat e të shthururve në rrugë. Është me anë të këtyre mendimeve që djalli do që të të shpjerë në dëshpërim ose së paku të të pengojë t’i mirëbesosh Jezusit. Gruaja e varfër e sëmurë nuk mund të vinte dot te Jezusi për shkak të turmës dhe gjendja jote i ngjan shumë gjendjes së saj për shkak të vërshimit dhe mizërisë së këtyre mendimeve të kobshme. Megjithatë, ajo zgjati gishtin e saj dhe preku cepin e rrobës së Jezusit dhe u shërua. Edhe ti bëj të njëjtën gjë.
Jezusi vdiq për ata që janë fajtorë për “çdo mëkat e blasfemi” dhe prandaj jam i sigurtë se ai nuk do t’i refuzojë ata që janë pa dashur rob të mendimeve të liga. Hidhe veten te Ai, mendime dhe gjithçka dhe do të shikosh nëse Ai do të jetë apo jo i fuqishëm për të shpëtuar. Ai mund të qetësoje ato pëshpërima të të ligut ose Ai mund të të mundësojë t’i shikosh nën dritën e tyre të vërtetë, kështu që të mos të mund të shqetësohesh prej tyre. Në mënyrën e Tij Ai mund dhe do të të shpëtojë dhe së fundmi të të japë paqe të përkryer. Vetëm besoi Atij për këtë gjë dhe për çdo gjë tjetër.
Ajo formë pafuqie që qëndron në një mungese të hamendësuar force për të besuar është trishtueshëm çoroditëse. Ne nuk i jemi të huaj klithmës:
Oh sikur të besoja,
Atëherë gjithçka do të ishte e lehtë ;
Do doja por nuk mund; Zot, lehtëso,
Ndihma ime duhet të vijë prej Teje.
Shumë qëndrojnë në errësirë për vite, sepse nuk kanë fuqi, ashtu si thonë, të bëjnë atë që është heqja dorë prej çdo fuqie dhe të prehen në fuqinë e një tjetri, domethënë Zotit Jezus. Me të vërtetë, është një gjë shumë e habitshme, gjithë kjo puna e besimit, sepse njerëzit nuk gjejnë dhe aq ndihmë duke u përpjekur të besojnë. Të besuarit nuk vjen duke u përpjekur. Nëse ndonjë njeri do të fliste për diçka që ka ndodhur sot, nuk duhet t’i them atij se do të përpiqem ta besoj. Nëse besova në vërtetësinë e njeriut që më foli për ngjarjen dhe më tha se e ka parë, do ta pranoja menjëherë fjalën e tij. Nëse nuk e marr për një njeri të vërtetë, sigurisht që nuk do t’i besoj, por nuk do të ketë përpjekje në këtë gjë. Tani, kur Perëndia shpall se ka shpëtim në Krishtin Jezus, më duhet ose të besoj në Të menjëherë ose ta bëj Atë një gënjeshtar. Me siguri që ju nuk do të keni mëdyshje për sa i përket udhës së drejtë në këtë rast, Dëshmia e Perëndisë duhet të jetë e vërtetë dhe ne jemi të detyruar të besojmë menjëherë në Jezusin.
Por ndoshta jeni përpjekur të besoni me tepri. Tani mos synoni gjëra të mëdha. Jini të kënaqur të keni një besim që mund të mbajë në dorën e tij këtë të vërtetë: “Ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Ai dha jetën e Tij për njerëzit ndërsa ata nuk po i besonin as nuk ishin të aftë të besonin te Ai. Ai vdiq për njerëzit, jo si besimtarë, por si mëkatarë. Ai erdhi t’i kthejë këta mëkatarë në besimtarë dhe të shenjtë, por kur Ai vdiq për ta, Ai i pa si tërësisht pa forcë. Nëse kapeni mbas së vërtetës se Krishti vdiq për të paudhët dhe i besoni kësaj, besimi juaj do t’ju shpëtojë dhe mund të shkoni në paqe. Nëse ia mirëbesoni shpirtin tuaj Jezusit, që vdiq për të paudhët, edhe pse nuk mund të besoni gjithçka, as nuk mund të lëvizni male as të bëni ndonjë vepër tjetër të mrekullueshme, prapëseprapë jeni shpëtuar. Nuk është besimi i madh, por besimi i vërtetë që shpëton; dhe shpëtimi nuk qëndron në besimin, por në Krishtin ku besimi prehet. Besimi sa një farë sinapi do të sjellë shpëtim. Nuk është masa e besimit, por sinqeriteti i besimit që është pika për t’u marrë në konsideratë. Me siguri një njeri mund të besojë atë që ai di të jetë e vërtetë dhe përderisa ti e njeh Jezusin të jetë i vërtetë, ti, miku im, mund të besosh te Ai.
Kryqi që është objekti i besimit, është gjithashtu, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, shkaku i tij. Ulu dhe shiko Shpëtimtarin shpirtdhënës derisa besimi të çelë vetvetiu në zemrën tënde. Nuk ka vend si Kalvari për të krijuar mirëbesimin. Ajri i kodrës së shenjtë i sjell shëndet besimit luhatës. Shumë shikues atje kanë thënë :
Ndërsa t’shikoj Ty, të plagosur, i brengosur,
Të pafrymë mbi drurin e mallkuar,
Zot, e ndjej zemrën time duke besuar
Se Ti vuajte kështu për mua për t’më shpëtuar.
“Sa keq!” klith një tjetër, “mungesa ime e forcës qëndron në këtë gjë, se nuk mund ta braktis mëkatin tim dhe e di se nuk mund të shkoj në Qiell duke mbajtur mëkatin tim me vete.” Jam i gëzuar se e di këtë, sepse është më se e vërtetë. Duhet të divorcohesh prej mëkatit tënde, ose nuk mund të martohesh me Krishtin. Sill në mendje pyetjen që i shkrepi në mendje Bunianit të ri kur dëfrehej në moshë të re të Dielën: “A do t’i ruash mëkatet dhe të shkosh në ferr apo do t’i lësh ato dhe të shkosh në parajsë?” Kjo e solli atë në një pikëpyetje të thellë. Kjo është një pyetje që çdo njeri i duhet t’i përgjigjet, sepse nuk është e mundur të vazhdosh në mëkat dhe të shkosh në parajsë. Nuk mund ndodhë kështu. Duhet që ta braktisësh mëkatin ose përndryshe shpresën. A përgjigjesh, “Po, po dua. Mirëpo, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Mëkati më zotëron dhe nuk kam fuqi.” Eja, atëherë, nëse nuk ke fuqi, ky tekst është akoma i vërtetë, “Ndërsa ne ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” A mund ta besosh akoma këtë? Sado që gjëra të tjera mund të duken se e përgënjeshtrojnë, a do ta besosh? Perëndia e ka thënë dhe është një fakt; prandaj, shtrëngoje fort, sepse shpresa jote e vetme qëndron atje. Besoje këtë dhe mirëbesoi Jezusit dhe së shpejti do të gjesh fuqi me anë të cilës të vrasësh mëkatin, por pa Të, burri i fortë i armatosur do të të ketë përherë skllavin e tij. Personalisht nuk do të kisha mundur kurrë ta mposhtja vetë mëkatshmërinë time. U përpoqa dhe dështova. Prirjet e mia të liga ishin tepër të shumta për mua, derisa në besimin se Krishti vdiq për mua, hodha shpirtin tim fajtor te Ai dhe atëherë mora një parim fitimtar me anë të cilit mposhta veten time mëkatare. Doktrina e kryqit mund të përdoret për të vrarë mëkatin po ashtu si luftëtarët e hershëm përdornin shpatat e tyre gjigante dhe kositnin armiqtë e tyre në çdo goditje. Nuk ka asgjë si besimi te Miku i mëkatarit: Ai mposht çdo të ligë. Nëse Krishti ka vdekur për mua, ashtu i paudhë siç jam, pa forcë ashtu siç jam, atëherë nuk mund të jetoj më gjatë në mëkat, por duhet që të ngrihem për ta dashur dhe për t’i shërbyer Atij që më ka shlyer. Nuk mund të luaj me të ligën që vrau Mikun tim më të mirë. Duhet që të jem i shenjtë për Hir të Tij. Si mund të jetoj në mëkat ndërsa Ai ka vdekur për të më shpëtuar prej tij?
Shiko pra se çfarë ndihme e shkëlqyer që është kjo për ty që je pa forcë, të dish dhe të besosh se Krishti vdiq në kohën e tij për një të paudhë të tillë si ti. A e ke kuptuar tani? Është disi, kaq e vështirë për mendjet tona jobesimtare, me paragjykime dhe të errësuara për të kuptuar thelbin e ungjillit. Herë pas herë kam menduar, mbasi kam mbaruar predikimin se e kam paraqitur ungjillin kaq qartë sa nuk ka ku më mirë dhe prapëseprapë dalloj se edhe dëgjuesit e zgjuar kanë dështuar të kuptojnë cila është domethënia e fjalëve: “Kthehuni nga Unë (shikoni te Unë) dhe do të shpëtoni.” Të kthyerit në besim zakonisht thonë se nuk e njihnin ungjillin deri në atë ose këtë ditë; dhe prapëseprapë ata e patën dëgjuar për vite. Ungjilli është i panjohur jo prej mungesës së shpjegimit, por prej mungesës së zbulesës vetjake. Këtë gjë, Fryma e Shenjtë është gati ta japë dhe do t’ua japë atyre që ia kërkojnë. Prapëseprapë kur jepet, përmbledhja e së vërtetës së zbuluar qëndron e gjitha përbrenda këtyre fjalëve: “Krishti vdiq për të paudhët.”
Dëgjoj një tjetër që vajton kështu: “Oh, zotëri, dobësia ime qëndron në këtë se nuk më duket se rri gjatë në një mendje! Dëgjoj Fjalën një të diel dhe prekem, por gjatë javës takoj shoqëri të keqe dhe ndjenjat e mia të mira ikin të gjitha. Shokët e mi nuk besojnë në asgjë dhe ata thonë gjëra kaq të tmerrshme dhe nuk di se si t’i përgjigjem dhe kështu përmbysem.” E njoh shumë mirë këtë të Epshëm Elastik dhe dridhem për të, mirëpo në të njëjtën kohë, nëse ai është me të vërtetë i sinqertë, dobësia e tij përballohet prej hirit hyjnor. Fryma e Shenjtë mund të nxjerrë jashtë frymën e ligë të frikës së njeriut. Ai mund ta bëjë frikacakun trim. Sill në mendje, miku im drithërues, nuk duhet që të qëndrosh në këtë gjendje. Nuk do të jetë kurrë mirë të jesh i ulët dhe lypës me veten. Ngrihu lart dhe vështro veten dhe dallo nëse je prerë për të qenë si gjarpri nën gur, duke pasur frikë për jetën tënde, pa lëvizur nga vendi. Mendoje vetë. Kjo nuk është veçse një çështje shpirtërore, por një që ka të bëjë me burrërinë e zakonshme. Do të bëja shumë gjëra për t’i pëlqyer shokëve të mi, por të shkoj në ferr për t’i pëlqyer atyre është më tepër se ç’do mund të guxoja. Mund të jetë gjë shumë e mirë të bësh këtë ose atë për shoqëri të mirë, por nuk do të jetë kurrë mirë të humbësh miqësinë e Perëndisë për ta pasur mirë me njerëzit. “E di këtë,” thotë ai, “por përsëri, edhe pse e di, nuk mund të marr dot kurajë. Nuk mund të nxjerr në pah fytyrën e vërtetë. Nuk mund të qëndroj i palëkundshëm.” Epo mirë, edhe për ty kam për të sjellë të njëjtin tekst: “Ndërsa ishim akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.” Nëse Pjetri do të ishte këtu, ai do të thoshte, “Zoti Jezus vdiq për mua edhe kur isha një krijesë e tillë e gjorë e dobët sa shërbëtorja që kujdesej për zjarrin më shtyu të gënjeja dhe të betohesha se nuk e njihja Zotin.” Po, Jezusi vdiq për ata që e braktisën dhe ia mbathën. Mbërtheje fort këtë të vërtetë—”Ndërsa ishim akoma pa forcë Krishti vdiq për të paudhët.” Kjo është rruga jote jashtë prej burracakërisë. Shkruaje në shpirtin tënd, “Krishti vdiq për mua,” dhe së shpejti do të jesh gati të vdesësh për Të. Besoje këtë, se Ai vuajti në vendin tënd dhe ofroi për ty një shlyerje të kënaqshme, të vërtetë dhe të plotë. Nëse e beson këtë fakt, medoemos do të ndjesh, “Nuk mund të kem turp prej Atij që vdiq për mua.” Një bindje e plotë se kjo është e vërtetë do të të forcojë me një kurajë të patrembur. Shiko shenjtorët në kohën e martirëve. Në ditët e hershme të krishtërimit, kur ky mendim i madh i dashurisë të skajshme të Krishtit po ndriste në gjithë gjallërinë e tij në kishë, njerëzit ishin gati jo vetëm të vdisnin, por dëshiruan fort të vuanin, dhe madje e paraqitën veten me qindra në bankën e gjykimit të sundimtarëve, duke rrëfyer Krishtin. Nuk po them se ishin të urtë duke kërkuar një vdekje mizore, por kjo provon pikën time se një ndijim dashurie për Jezusin e ngre mendjen mbi çdo frikë prej asaj që njeriu mund të na bëjë. E pse vallë nuk do të mund të sillte të njëjtën gjë te ty? Oh të frymëzoftë tani me një vendimmarrje guximtare që të dalësh në anën e Zotit dhe të jesh ndjekësi i Tij deri në fund! Fryma e Shenjtë na ndihmoftë të vijmë deri aty nëpërmjet besimit në Zotin Jezus dhe do të ketë rezultat!
12) RRITJA E BESIMIT
SI MUND TË ARRIJMË një rritje të besimit? Kjo është një pyetje shumë serioze për shumë njerëz. Ata thonë se duan të besojnë, por nuk munden. Shumë gjepura fliten në lidhje me këtë temë. Le të jemi rreptësisht praktikë në qasjen e saj. Gjykimi i shëndoshë nevojitet po aq shumë në fe sa kudo tjetër. “Çfarë duhet të bëj me qëllim që të besoj?” Dikush, që iu bë pyetja në lidhje me mënyrën më të mirë për të kryer ndonjë veprim të thjeshtë, u përgjigj se mënyra më e mirë për ta kryer ishte ta bëje atë menjëherë. Humbim kohë duke diskutuar për metodat atëherë kur veprimi është i thjeshtë. Rruga më e shkurtër për të besuar është të besosh. Nëse Fryma e Shenjtë të ka bërë zemërhapur, do të besosh sapo e vërteta vihet përpara teje. Do ta besosh atë, sepse është e vërtetë. Urdhëresa e ungjillit është e qartë; “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh.” Është e kotë t’i bësh bisht kësaj nëpërmjet pyetjesh dhe lojë fjalësh. Urdhri është i qartë; le të gjejë bindje.
Por gjithsesi, nëse ke vështirësi, sille atë përpara Perëndisë në lutje. I thuaj Atit të madh pikërisht atë që të vret mendjen dhe lutu Atij nëpërmjet Frymës së Shenjtë të japë zgjidhjen. Nëse nuk mund të besoj një thënie në një libër, me gëzim do t’i kërkoja autorit se çfarë do të thotë me të; dhe nëse ai është një njeri i vërtetë shpjegimi i tij do të më kënaqë; aq më shumë akoma shpjegimi hyjnor i pikave të vështira të Shkrimit do të kënaqë zemrën e kërkuesit të vërtetë. Zoti do që ta zbulojë vetveten; shko te Ai dhe shiko nëse nuk është kështu. Shko rregullisht menjëherë në kthinën tënde dhe klith, “O Frymë e Shenjtë, më udhëhiq te e vërteta! Atë që nuk di, ma mëso.”
Më tej, nëse besimi duket i vështirë, është e mundur që Perëndia Fryma e Shenjtë të të mundësojë të besosh nëse e dëgjon shumë shpesh dhe me zell atë për të cilën je i urdhëruar të besosh. Ne besojmë shumë gjëra, sepse i kemi dëgjuar kaq shpesh. A nuk ju duket kështu në jetën e përditshme se nëse dëgjoni një gjë pesëdhjetë herë në ditë, së fundi filloni ta besoni atë? Disa njerëz kanë filluar të besojnë thënie shumë të pagjasa me anë të këtij procesi dhe prandaj nuk habitem se Fryma e mirë shpesh bekon dëgjimin e shpeshtë të së vërtetës dhe e përdor për të jetësuar besim në lidhje me atë që është për t’u besuar. Është e shkruar, “Besimi vjen nga dëgjimi”; prandaj dëgjoni shpesh. Nëse dëgjoj me zell dhe me kujdes ungjillin, një prej këtyre ditëve do ta gjej veten duke besuar atë që dëgjoj, nëpërmjet veprimit të bekuar të Frymës së Perëndisë në mendjen time. Veçse kini kujdes të dëgjoni ungjillin dhe mos e hallakasni mendjen me dëgjimin ose leximin e asaj që është synuar për të të çoroditur.
Gjithsesi, nëse kjo do të dukej këshillë e dobët, do të doja të shtoja më pas, merr në konsideratë dëshminë e të tjerëve. Samaritanët besuan për shkak të asaj që gruaja i tha atyre në lidhje me Jezusin. Shumë prej besimeve tona çelin prej dëshmive të të tjerëve. Besoj se ka një vend të tillë si Japonia; nuk e kam parë kurrë dhe prapëseprapë besoj se ekziston një vend i tillë, sepse të tjerë kanë qenë atje. Besoj se do të vdes; nuk kam vdekur kurrë, por ama shumë nga ata që i njihja më përpara kanë vdekur dhe prandaj kam bindjen se edhe unë do të vdes. Dëshmia e shumë njerëzve më bind për këtë fakt. Dëgjo pra ata që të thonë se si u shpëtuan, se si u falën, se si u ndryshuan në karakter. Nëse hedh sytë aty brenda do të gjesh se dikush pikërisht si ti është shpëtuar. Nëse ke qenë një hajdut, do të zbulosh se një hajdut u gëzua të lajë mëkatin e tij në burimin e gjakut të Krishtit. Nëse për fat të keq ke qenë i papastër, do të zbulosh se burra dhe gra që kanë rënë në këtë udhë janë pastruar dhe ndryshuar. Nëse gjendesh në dëshpërim, nuk të duhet veçse të shkosh midis njerëzve të Perëndisë dhe të pyesësh pak dhe do të zbulosh se disa prej shenjtorëve kanë qenë po ashtu në dëshpërim ca herë dhe ata do të kënaqen të të tregojnë se si Zoti i çliroi. Teksa dëgjoni njeri pas tjetrit ata që e kanë provuar dhe e kanë përjetuar fjalën e Perëndisë, Fryma hyjnore do t’ju shpie të besoni. A nuk keni dëgjuar në lidhje me atë afrikanin që iu tha prej një misionari se uji ndonjëherë bëhet kaq i ngurtë sa njerëzit mund të ecin sipër? Ai tha se i ka besuar shumë gjërave që misionari i kishte treguar, por se nuk do ta besonte kurrë këtë. Kur erdhi në Angli ndodhi se një ditë ngrice ai pa lumin të ngrirë, por nuk guxoi të ecte sipër tij. Ai e dinte se ishte një lum i thellë dhe ndjehej i sigurtë se do të mbytej nëse do të guxonte të çapiste sipër tij. Atij nuk mund t’i mbushej dot mendja të ecte mbi ujin e ngrirë derisa miku i tij dhe shumë të tjerë ecën mbi të; atëherë ai u bind dhe besoi për të ecur atje ku të tjerë patën guxuar të sigurtë. Kështu pra, ndërsa shikon të tjerë të besojnë në Qengjin e Perëndisë dhe vëren gëzimin dhe paqen e tyre, vetë do të udhëhiqesh shtruar të besosh. Përjetimi i të tjerëve është një prej mënyrave të Perëndisë për të na ndihmuar në besim. Ose beso në Jezusin a vdis; nuk ka shpresë tjetër për ty përveçse në Të.
Një plan më i mirë është ky—vëre autoritetin mbi të cilin je i urdhëruar të besosh, dhe kjo gjë do të të ndihmojë shumë për besimin. Autoriteti nuk është imi, se përndryshe do të bëje mirë sikur ta hidhje poshtë. Por ti je i urdhëruar ta vendosësh besimin mbi autoritetin e vetë Perëndisë. Ai të urdhëron të besosh në Jezu Krisht dhe nuk duhet që të refuzosh t’i bindesh Krijuesit tënd. Një mbikëqyrës argatësh në një fermë pati dëgjuar shpesh ungjillin, por ishte i trazuar me frikën se mos nuk mund të vinte dot te Krishti. Një ditë padroni i tij i mirë i dërgoi një fjalë—”Eja menjëherë në shtëpinë time mbas punës.” Mbikëqyrësi u paraqit te dera e padronit të tij dhe ky i tha disi vrazhdë, “Çfarë do Gjon, që më prish rehatin në këtë orë? Puna është bërë, ç’punë ke këtu?” Zotëri, i tha ai, “Më dërguat fjalë, më kërkonit që të vija mbas punës.” “A do të thuash se thjesht se të dërgova një fjalë se të duhej që të vije në shtëpinë time dhe të më thërrisje mbas orëve të punës?” “Epo, zotëri,” u përgjigj mbikëqyrësi, “Nuk ju kuptoj, por m’u duk se përderisa më kërkuat, pata të drejtë të vija.” “Eja brenda Gjon,” i tha padroni i tij, “Kam një tjetër mesazh që dua të të lexoj,” dhe u ul dhe lexoi këto fjalë: ” Ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje.” “A mendon se mbas këtij mesazhi të Krishtit do të bëje gabim duke ardhur te Ai?” Burri i shkretë e kuptoi menjëherë dhe besoi në Zotin Jezus për jetë të përjetshme, sepse dalloi se pati kapar dhe autoritet të sigurtë për të besuar. Po ashtu dhe ti, shpirt i gjorë! Ke autoritet të sigurtë për të ardhur te Krishti, sepse vetë Zoti të urdhëron t’i mirëbesosh Atij.
Nëse kjo nuk ushqen besim në ty, mendo mirë çfarë ke për të besuar—se Zoti Jezu Krisht vuajti në vend të mëkatarëve dhe është i aftë të shpëtojë të gjithë ata që e vendosin besimin te Ai. Epo, ky është fakti më i bekuar që iu tha ndonjë njeriu të besojë; e vërteta më hyjnore, më ngushëlluese, më e përshtatshme që u vendos ndonjëherë përpara mendjeve të vdekshme. Të këshilloj të mendosh shumë mbi këtë dhe rrëmo hirin dhe dashurinë që përmban. Studio të katër Ungjillorët, studio letrat e Palit dhe më pas shiko se mesazhi është aq i besueshëm sa meriton medoemos të besohet.
Nëse kjo nuk ecën, atëherë mendo për personin e Jezu Krishtit—mendo se kush është Ai dhe çfarë bëri dhe ku Ai është dhe çfarë është Ai. Si mund t’i dyshosh? Është mizori t’i mosbesosh Jezusit përherë të vërtetë. Ai nuk ka bërë asgjë për të merituar mosbesim; përkundrazi, duhet që të jetë e lehtë të mbështetesh te Ai. Pse ta kryqëzosh përsëri me anë të mosbesimit? A nuk do të thotë kjo ta kurorëzosh Atë përsëri me gjemba dhe t’i pështysh përsëri? Çfarë! Nuk është për t’u mirëbesuar? Çfarë fyerje më të keqe se kjo i bënë Atij ushtarët? Ata e bënë Atë një martir, por ti e bën Atë një gënjeshtar—kjo është shumë e shumë më keq. Mos pyet se si mund të besoj? Por përgjigju një tjetër pyetje—Si mund të mosbesosh?
Nëse asnjëra prej këtyre gjërave nuk vlen atëherë ka diçka që nuk shkon me ty dhe fjala ime e fundit është, nënshtroja veten Perëndisë! Paragjykimi ose krenaria është në themelin e këtij mosbesimi. Fryma e Perëndisë heqtë armiqësinë tënde dhe të bëftë të përkulesh. Je një rebel, një rebel krenar dhe kjo është arsyeja pse nuk i beson Perëndisë tënd. Hiq dorë prej rebelimit tënd; hidh poshtë armët e tua; përkulu e dorëzoju pa kushte Mbretit tënd. Besoj se kurrë një shpirt nuk ngriti duart lart në vetë dëshpërim dhe klithi, “Zot, dorëzohem,” përpara se besimi të jetë bërë natyrshëm pjesë e tij. Është për shkak se ke grindje me Zotin dhe se ke vendosur të ndjekësh vetë vullnetin tënd dhe udhën tënde, prandaj pra nuk mund të besosh. “Si mund të besoni ju,” tha Krishti, “që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit?” Vetja krenare krijon mosbesim. Nënshtrohu, o njeri. Përkulu Perëndisë tënd dhe atëherë do të besosh ëmbëlsisht te Shpëtimtari yt. Fryma e Shenjtë punoftë tani fshehtësish, por efektshmërisht në ty dhe të të sjelltë pikërisht në këtë çast të besosh në Zotin Jezus! Amen.
13) RIPËRTËRITJA DHE FRYMA E SHENJTË
“DUHET TË LINDNI PËRSËRI.” Kjo fjalë e Zotit tonë Jezus është dukur të flakërojë në udhën e shumë njerëzve, ashtu si shpata që vërtitej prej kerubinëve në portën e Parajsës. Ata u dëshpëruan, sepse ky ndryshim është përtej përpjekjes së tyre më të fuqishme. Rilindja është prej së larti dhe prandaj nuk është në fuqinë e krijesës. Tani, larg prej meje të mohoj ose të fsheh ndonjëherë një të vërtetë me qëllim që të krijoj një ngushëllim të rremë. Pranoj lirisht se rilindja është e mbinatyrshme dhe se nuk mund të kryhet prej vetë mëkatarit. Do të ishte një ndihmë e pavend për lexuesin tim sikur të isha aq i lig sa të përpiqesha ta gëzoja atë duke e bindur të hedhë poshtë ose të harrojë atë që është e vërtetë e padiskutueshme.
Por a nuk është vallë e jashtëzakonshme se pikërisht po ai kapitull ku Zoti ynë bën këtë deklaratë të drejtpërdrejtë përmban gjithashtu shpalljen e qartë në lidhje me shpëtimin nëpërmjet besimit? Lexo kapitullin e tretë të Ungjillit të Gjonit dhe mos u ndal vetëm te vargjet e tij të mëparshme. Është e vërtetë se vargu i tretë thotë:
Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
Por më pas, vargjet katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë janë:
Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
Vargu i tetëmbëdhjetë përsërit të njëjtën doktrinë me fjalët më të gjëra që mund të gjenden ndonjëherë:
Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.
Është e qartë për çdo lexues se këto dy shpallje përputhen me njëra tjetrën përderisa dolën prej së njëjtës gojë dhe janë të shënuara në të njëjtën faqe të frymëzuar. Pse duhet të nxjerrim një vështirësi atje ku nuk ka një të tillë? Nëse një varg na siguron për nevojën e shpëtimit prej diçkaje, që vetëm Perëndia mund të japë dhe nëse një tjetër na siguron se Zoti do të na shpëtojë nëpërmjet besimit në Jezus, atëherë ne mund të nxjerrim si përfundim me siguri se Zoti do t’i japë atyre që besojnë gjithçka që është e shpallura të jetë e nevojshme për shpëtimin e tyre. Zoti, me të vërtetë, në fakt, prodhon lindjen e re në të gjithë ata që besojnë në Jezusin; dhe besimi i tyre është prova më e sigurtë se ata janë rilindur.
Ne i mirëbesojmë Jezusit për atë që vetë nuk mund ta bëjmë dot: nëse do të ishte në pushtetin tonë, pse vallë të shikosh te Ai? Na përket neve të besojmë, i përket Zotit të na rilindë. Ai nuk do të besojë në vendin tonë, po ashtu dhe ne nuk e bëjmë veprën ripërtëritëse në vendin e Tij. Na mjafton t’i bindemi urdhëresës së hirshme; i përket Zotit të punojë në ne lindjen e re. Ai që mundi të shkoje aq larg sa të vdesë mbi dru për ne, mund dhe do të na japë të gjitha gjërat që janë të nevojshme për sigurinë tonë të përjetshme.
“Por një ndryshim shpëtimtar i zemrës është vepra e Frymës së Shenjtë.”
Edhe kjo gjithashtu është shumë e vërtetë dhe qoftë larg prej nesh ta vëmë në dyshim, ose ta harrojmë. Por vepra e Frymës së Shenjtë është e fshehtë dhe misterioze dhe mund të dallohet vetëm prej rezultateve të saj. Ka mistere në lidhje me lindjen tonë natyrore në të cilat do të ishte kureshtje e mallkuar të fusje hundët; akoma më shumë kjo është e vërtetë në lidhje me veprimet e shenjta të Frymës së Perëndisë. “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” Prapëseprapë ne dimë pa dyshim këtë—vepra misterioze e Frymës së Shenjtë nuk mund të jetë një arsye për të refuzuar të besosh në Jezusin të Cilit e njëjta Frymë i jep dëshmi.
Nëse një njeri do t’i thuhej të mbillte një fushë, ai nuk do të mund të justifikojë lënien pas dore duke thënë se do të ishte e kotë të mbjellësh nëse Perëndia nuk do ta bënte farën të rritej. Ai nuk do të jetë i justifikuar ne lënien pas dore të lërimit të tokës për shkak se vetëm energjia e fshehtë e Perëndisë mund të japë një korrje. Asnjë njeri nuk pengohet në punët e zakonshme të jetës prej faktit se nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë ata që e ndërtojnë atë punojnë më kot. Është e sigurtë se asnjë njeri që beson në Jezusin nuk do t’i duket se Fryma e Shenjtë refuzon të punojë në të; në fakt, besimi i tij është prova se Fryma është tashmë në punë në zemrën e tij.
Perëndia punon në providencën e vet, por njerëzit nuk rrinë duar e këmbë kryq për këtë arsye. Ata nuk do të mund të lëviznin dot pa fuqinë hyjnore që i jep atyre jetë dhe forcë dhe prapëseprapë ata vazhdojnë rrugën e tyre pa bërë pyetje: fuqia duke qenë e dhënë ditë për ditë prej Atij në duart e të Cilit gjenden fryma dhe udhët e tyre. Kështu është edhe në hir. Ne pendohemi dhe besojmë edhe pse nuk do të mund të kishim bërë as njërën as tjetrën nëse Zoti nuk do të na kishte mundësuar. Ne braktisim mëkatin dhe i mirëbesojmë Jezusit dhe atëherë dallojmë se Zoti ka punuar ndër ne duke bërë që të duam dhe të veprojmë sipas vullnetit të Tij të mirë. Është e kotë të pretendosh se ka ndonjë vështirësi të vërtetë në këtë çështje.
Disa të vërteta që janë të vështira të shpjegohen me fjalë janë mjaft të thjeshta me përjetim vetjak. Nuk ka mospërputhje midis së vërtetës se mëkatari beson dhe se besimi i tij jetësohet në Të prej Frymës së Shenjtë. Veçse çmenduria mund të shpjerë njerëzit të vrasin mendjen për gjëra të qarta ndërkohë që shpirtrat e tyre janë në rrezik. Asnjë njeri nuk do të refuzonte të hynte në një barke shpëtimi ngaqë nuk njeh peshën e secilit; po ashtu asnjë njeri i uritur nuk do të refuzonte të ushqehej derisa të ketë kuptuar të gjithë procesin e tretjes. Nëse ti, lexuesi im, nuk do të besosh derisa të mund të kuptosh të gjitha misteret, atëherë nuk do të shpëtohesh kurrë; dhe nëse lejon vështirësi të vetë-shpikura të të mbajnë larg prej pranimit të faljes nëpërmjet Zotit dhe Shpëtimtarit tënd, do të vdesësh nën një dënim që do të jetë shumë i merituar. Mos kryej vetëvrasje shpirtërore prej pasionit për diskutime stërhollimesh metafizike.
14) “SHPENGUESI IM JETON”
VAZHDIMISHT i kam folur lexuesit në lidhje me Krishtin e kryqëzuar, i Cili është shpresa e madhe e fajtorit, por është urtësia jonë të sjellim në mendje se Zoti ynë u ngjall prej së vdekuri dhe jeton përjetësisht.
Nuk të kërkohet të besosh në një Jezus të vdekur, por në Një që, edhe pse vdiq për mëkatet tona, është ngjallur përsëri për shfajësimin tonë. Mund të shkosh te Jezusi menjëherë si tek një mik i gjallë dhe i tanishëm. Ai nuk është thjesht një kujtim, por një Person gjithmonë i gjindshëm që do të dëgjojë lutjet e tua dhe do t’i përgjigjet atyre. Ai jeton me qëllim që të vazhdojë punën për të cilën Ai një herë e një kohë dha jetën e Tij. Ai është duke ndërmjetësuar për mëkatarët në krahun e djathtë të Atit dhe për këtë arsye Ai mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të Tij i afrohen Perëndisë. Eja dhe provo këtë Shpëtimtar të gjallë nëse nuk e ke bërë tashmë.
Ky Jezus i gjallë është gjithashtu i ngritur në një shkëlqim lavdie dhe pushteti. Ai nuk pikëllohet më tani si “një njeri i përulur përpara armiqve të tij,” as nuk rropatet më si “biri i zdrukthëtarit”, por Ai është lartësuar shumë lart mbi principatat dhe pushtetet dhe mbi çdo emër që mund të përmendet. Ati i ka dhënë Atij çdo pushtet në Qiell e në tokë dhe Ai ushtron këtë dhurim të lartë duke kryer punën e Tij të hirit. Dëgjo çfarë Pjetri dhe apostujt e tjerë dëshmuan në lidhje me Të përpara kryepriftit dhe këshillit:
Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t`i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
{#Veprat 5: 30, 31}
Lavdia që rrethon Zotin e ngjitur lart duhet t’i frymëzojë shpresë gjirit të besimtarit. Jezusi nuk është person dosido—Ai është “një Shpëtimtar dhe një i fuqishëm.” Ai është Shpenguesi i kurorëzuar dhe i fronëzuar i njerëzve. E drejta e posaçme sovrane e jetës dhe e vdekjes i është dhënë Atij; Ati ka vënë të gjithë njerëzit nën qeverisjen ndërmjetësuese të Birit, kështu që Ai mund të ngjallë kë të dojë. Çfarëdo që Ai të mbyllë askush nuk mund ta hapë. Prej fjalës së Tij shpirti që është i lidhur prej litarëve të mëkatit dhe dënimit mund të lirohet në një çast. Ai zgjat skeptrin e argjend dhe cilido që e prek atë jeton.
Është mirë për ne se po ashtu si mëkati jeton dhe mishi jeton dhe djalli jeton, po ashtu Jezusi jeton; dhe është gjithashtu mirë për ne sado që këto mund të na shkatërrojnë, Jezusi ka akoma fuqi më të madhe për të na shpëtuar.
I gjithë lartësimi dhe aftësia e Tij janë për ne. “Ai është lartësuar për t’u bërë,” dhe është lartësuar “për të dhënë.” Ai është lartësuar për të qenë një Princ dhe një Shpëtimtar që të mund të japë gjithçka që është e nevojshme për të përmbushur shpëtimin e gjithë atyre që vijnë nën sundimin e Tij. Jezusi nuk ka asgjë që nuk do ta përdorte për shpëtimin e një mëkatari dhe gjithçka që Ai është do ta shfaqë në bollëkun e hirit të Tij. Ai e lidh principatën e Tij me Shpëtimtarinë e Tij sikur nuk do të donte të kishte njërën pa tjetrën;d he Ai e nxjerr në pah lartësimin e Tij si i synuar për t’i sjellë bekime njerëzve sikur kjo të ishte lulja dhe kurora e lavdisë së Tij. A mund të jetë ndonjë gjë më shumë e llogaritur për të ngjallur shpresat e mëkatarëve kërkues që janë duke shikuar drejt Krishtit?
Jezusi duroi poshtërim të madh dhe prandaj kishte arsye për Të për të qenë i lartësuar. Me anë të atij poshtërimi Ai përmbushi dhe duroi të gjithë vullnetin e Atit dhe prandaj Ai u shpërblye duke qenë i ngritur në lavdi. Ai përdor këtë lartësim për popullin e Tij.
Le t’i ngrejë lexuesi im sytë e tij te këto kodra lavdie, prej nga duhet të vijë ndihma e Tij. Le të vështrojë lavditë e larta të Princit dhe Shpëtimtarit. A nuk është shumë shpresëdhënëse për njerëzit se një Njeri është tani mbi fronin e universit? A nuk është e lavdishme se Zoti i të gjithëve është Shpëtimtari i mëkatarëve? Kemi një Mik në gjyq; po, një Mik mbi fron. Ai do të përdorë të gjithë ndikimin e Tij për ata që i mirëbesojnë punët e tyre në duart e Tij. Mirë këndon një prej poetëve tanë:
Ai jeton përherë për të ndërhyrë
Përpara fytyrës së Atit të Tij;
Jepi Atij, shpirti im, çështjen tënde të mbrojë
Mos dysho hirin e Atit.
Eja mik dhe dorëzoja çështjen dhe rastin tënd atyre duarve një herë të tejshpuara, që janë tani të lavdëruara me unazat me vula pushteti dhe nderi mbretëror. Asnjë proces gjyqësor që i është besuar këtij Avokati të madh nuk ka dështuar.
15) PENDIMI DUHET TË SHOQËROHET ME FALJEN
ËSHTË E QARTË prej tekstit që ne kemi cituar më përpara se pendimi është i lidhur me faljen e mëkateve. Te Veprat 5 :31 lexojmë se Jezusi “është lartësuar për të dhënë pendimin dhe faljen e mëkateve.” Këto dy bekime vijnë prej asaj dore të shenjtë që një herë u gozhdua në dru, por që tani është e ngritur në lavdi. Pendimi dhe falja janë të mbërthyera bashkë nëpërmjet qëllimit të përjetshëm të Perëndisë. Atë që Perëndia ka vënë bashkë, njeriu mos ta ndajë.
Pendimi duhet të shkojë dorë për dore me faljen dhe do të shikoni se është kështu nëse mendoni paksa mbi këtë. Nuk mund të ndodhë që falja e mëkatit të mund t’i jepet një mëkatari të papenduar; kjo do ta miratonte atë në udhët e tij të liga dhe do t’i mësonte të mendonte lehtë në lidhje me mëkatin. Nëse Zoti do të thoshte, “Ti e do mëkatin dhe jeton në të dhe po shkon keq e më keq, por, në të njëjtën kohë, të fal,” kjo do të thoshte të shpallje një leje të tmerrshme për shkeljen. Themelet e rregullit shoqëror do të lëvizeshin nga vendi dhe anarkia morale do të ndiqte më pas. Nuk mund të them dot se çfarë të pabërash do të ndodhnin nëse do të mund të ndanim pendimin dhe faljen dhe të mbyllje një sy ndaj mëkatit ndërsa mëkatari mbetet po aq i dhënë pas tij sa më parë. Në vetë natyrën e gjërave, nëse besojmë në shenjtërinë e Perëndisë, duhet të jetë kështu, se nëse vazhdojmë në mëkatin tonë pa u penduar për të, nuk mund të falemi, por duhet të vjelim rrjedhojën e kokëfortësisë sonë. Sipas mirësisë së pafundme të Perëndisë, na premtohet se nëse i braktisim mëkatet tona, duke i rrëfyer ato, dhe nëpërmjet besimit pranojmë hirin e dhënë në Krishtin Jezus, Perëndia është besnik dhe i drejtë për të na falur mëkatet tona dhe të na pastrojë prej çdo padrejtësie. Por, po aq me të vërtetë sa Perëndia jeton, nuk mund të ketë premtim mëshire ndaj atyre që vazhdojnë në udhët e tyre të liga dhe që refuzojnë të pranojnë shkeljen e tyre. Me siguri që asnjë rebel nuk mund të presë prej Mbretit faljen e tradhtisë së tij ndërsa ai qëndron në revoltë të hapur. Asnjë nuk mund të jetë aq i çmendur sa të përfytyrojë se Gjykatësi i të gjithë tokës do të fshijë tutje mëkatet tona nëse ne refuzojmë t’i fshijmë vetë tutje.
Për më tepër, duhet që të jetë kështu për shkak të plotësisë së mëshirës hyjnore. Ajo mëshirë që mund të falë mëkatin dhe prapëseprapë duke lënë mëkatarin të jetojë në të, do të ishte një mëshirë sipërfaqësore dhe e dobët. Do të ishte mëshirë e deformuar dhe e çrregullt, e çalë në njërën këmbë dhe e fishkur në njërën prej duarve. Cili mendoni se është privilegji më i madh, pastrimi prej fajit të mëkatit apo çlirimi prej pushtetit të mëkatit? Nuk do të përpiqem të peshoj dy mëshira kaq të pashoqe. Asnjëra prej tyre nuk do të mund të kishte ardhur te ne pa gjakun e çmuar të Jezusit. Por me duket se të jesh i çliruar prej sundimit të mëkatit, të bëhesh i shenjtë, të bëhesh si Perëndia, duhet të konsiderohet si më e madhja nëse do të bëhej një krahasim. Të jesh i falur është një favor i pamasë. Ne e bëjmë këtë një prej notave të para të psalmeve tona të lavdërimit: “Ai fal të gjitha paudhësitë e tua.” Por nëse do të mund të faleshim dhe më pas të mund të lejoheshim të donim mëkatin, t’i jepeshim këmbë e krye paudhësisë dhe të kridheshim në epsh, për çfarë do të hynte në punë vallë një falje e tillë? A nuk do të shndërrohej për ne në një ëmbëlsirë të helmatisur, e cila do të na shkatërronte tepër efektshmërisht? Të lahesh dhe prapëseprapë të dergjesh në baltë; të shpallesh i pastër dhe prapëseprapë të kesh lebrën mbi ballë, do të ishte përqeshja ndaj mëshirës në shkallën më të lartë. Çfarë do të thotë të nxjerrësh një njeri prej varrit të tij nëse e lini të vdekur? Pse ta udhëhiqni drejt dritës nëse ai është akoma i verbër? Ne falënderojmë Perëndinë se Ai që fal shkeljet tona shëron gjithashtu sëmundjet tona. Ai që lan prej njollave të së kaluarës na ngre gjithashtu prej udhëve të fëlliqura të së tashmes dhe na ruan prej rrëzimit në të ardhmen. Ne duhet të pranojmë me gëzim si pendimin ashtu dhe faljen; ata nuk mund të ndahen dot. Trashëgimia e besëlidhjes është një dhe e pandashme dhe nuk duhet që të ndahet në ngastra. Të ndash veprën e hirit do të ishte të prisje fëmijën e gjallë përgjysmë dhe ata që do ta lejonin këtë gjë nuk kanë pjesë në të.
Do të pyes ty që je duke kërkuar Zotin, nëse do të ishe i kënaqur me vetëm një prej këtyre mëshirave? A do të të kënaqte, lexuesi im, nëse Perëndia të të falte mëkatin dhe më pas të të lejonte të ishe po aq njeri i botës dhe i lig sa më përpara? Oh, jo! Fryma e ngjallur druan më shumë vetë mëkatin se sa rezultatet ndëshkuese të tij. Klithma e zemrës tënde nuk është, “Kush do të më çlirojë nga dënimi?” por, “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? Kush do të më mundësojë të jetoj mbi tundimin, dhe të bëhem i shenjtë, po ashtu si dhe Perëndia është i shenjtë?” Përderisa bashkimi i pendimit me faljen pajtohet me një dëshire të hirshme, dhe përderisa është i nevojshëm për plotësinë e shpëtimit, dhe për hir të shenjtërisë, jini të sigurtë se është i qëndrueshëm.
Pendimi dhe falja shkojnë dorë për dore në përjetimin e të gjithë besimtarëve. Nuk ka pasur kurrë ndonjë që u pendua, pa u shtirur, me pendim besimtar për mëkatin, i cili nuk u fal; dhe në anën tjetër, nuk ka pasur kurrë një njeri të falur pa u penduar për mëkatin e tij. Nuk ngurroj të them se nën Qiell nuk ka pasur kurrë, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë, ndonjë rast mëkati të pastruar, nëse në të njëjtën kohë zemra nuk është shpjerë në pendim dhe besim në Krisht. Urrejtja e mëkatit dhe një ndijim faljeje vijnë bashkë në shpirt dhe qëndrojnë bashkë ndërsa jetojmë.
Këto dy gjëra veprojnë ndaj njëra tjetrës: njeriu që është i falur si rrjedhojë pendohet; dhe njeriu që pendohet është gjithashtu më se i falur. Kujto së pari se falja shpie në pendim. Ashtu si këndojmë me fjalët e Hartit :
Ligji dhe lebetitjet veç ngurtësojnë
Ndërsa veç ato veprojnë
Por një ndijim falje e gjak-blerë
Shkrin një zemër guri menjëherë
Kur jemi të sigurtë se jemi të falur, atëherë ne e kemi neveri paudhësinë; dhe ma merr mendja se kur besimi rritet në siguri të plotë sa që jemi të sigurtë përtej çdo dyshimi se gjaku i Jezusit na ka larë më të bardhë se bora, është atëherë kur pendimi arrin në lartësinë e tij më të madhe. Pendimi rritet teksa besimi rritet. Mos bëj ndonjë gabim në lidhje me këtë; pendimi nuk është një gjë ditësh ose javësh, një pendesë e përkohshme për t’i dhënë fund po aq shpejt sa është e mundur! Jo; është hiri i një jete, si vetë besimi. Fëmijët e vegjël të Perëndisë pendohen dhe po ashtu të rinjtë dhe etërit. Pendimi është shoku i pandarë i besimit. Ndërsa ecim me anë të besimit dhe jo nëpërmjet shikimit, loti i pendimit shkëlqen në syrin e besimit. Nuk është pendim i vërtetë ai që nuk vjen prej besimit në Jezus dhe nuk është besim i vërtetë në Jezus ai besim që nuk është i ngjyruar me pendim. Besimi dhe pendimi, ashtu si binjake siamezë, janë të bashkuar në mënyra jetike. Në përpjesëtim të besimit tonë në dashurinë falëse të Krishtit, po në atë përpjesëtim pendohemi; dhe në përpjesëtim të pendimit prej mëkatit dhe urrejtjes së të ligës, ne gëzohemi ne plotësinë e larjes për dhënien e të cilës Jezusi është i lartësuar. Nuk do ta vlerësoni kurrë faljen nëse nuk ndjeni pendim; dhe nuk do të shijoni kurrë gllënjkën më të thellë të pendimit nëse nuk e dini se jeni falur. Mund të duket një gjë e çuditshme, por kështu është—hidhërimi i pendimit dhe ëmbëlsia e faljes shkrihen në aromën e çdo jete të hirshme dhe formojnë një lumturi të pashoqe.
Këto dy dhurime besëlidhëse janë siguria e ndërsjellë për njëra tjetrën. Nëse e di se pendohem, e di se jam i falur. Si mund ta di se jam i falur përveçse kur di gjithashtu se jam kthyer prej rrjedhës sime mëkatare të mëparshme? Të jesh një besimtar do të thotë të jesh një pendestar. Besimi dhe pendesa janë dy rreze në të njëjtën rrotë, dy veshëza të së njëjtës parmendë. Pendimi është përshkruar mirë si një zemër e thyer për mëkatin dhe prej mëkatit; dhe mund po aq mirë të flitet për të si kthim dhe rikthim. Është një ndryshim mendjeje e llojit më rrënjësor dhe më të plotë dhe është i shoqëruar me pikëllim për të kaluarën dhe një vendosmëri ndreqjeje në të ardhmen.
Pendesa është të braktisim
Mëkatet që i deshëm në mish.
Pikëllim të madh të shfaqim
Duke mos i kryer më sërish.
Tani, kur ky është rasti ynë, mund të jemi të sigurtë se jemi falur, sepse Zoti kurrë nuk e bëri një zemër të thyhet për mëkatin dhe të thyer prej mëkatit pa e falur atë. Nëse, në anën tjetër, jemi duke gëzuar faljen, nëpërmjet gjakut të Jezusit, jemi shfajësuar nëpërmjet besimit dhe kemi paqe me Perëndinë, me anë të Jezu Krishtit Zotit tonë, e dimë se pendimi dhe besimi ynë janë të llojit të duhur.
Mos e vështroni pendimin tuaj si shkakun e faljes suaj, por si shoqëruesin e saj. Mos prisni të jeni të aftë të pendoheni po të mos shikoni hirin e Zotit tonë Jezus dhe gatishmërinë e Tij për të fshirë mëkatin tuaj. Mbajini këto gjëra të bekuara në vendin e tyre dhe shikojini në marrëdhënien me njëra tjetrën. Ato janë Jakini dhe Boazi i një përjetimi shpëtimtar; dua të them se janë të krahasueshme me dy shtyllat e mëdha të Solomonit që qëndruan përpara shtëpisë së Zotit dhe formuan një hyrje madhështore për në vendin e shenjtë. Asnjë njeri nuk vjen te Perëndia ashtu siç duhet përveçse nëse kalon mes dy shtyllave të pendimit dhe faljes së mëkateve. Mbi zemrën tuaj është shfaqur ylberi i besëlidhjes së hirit në gjithë bukurinë e tij kur lotët e pendimit kanë vezulluar prej dritës së faljes së plotë. Pendimi për mëkatin dhe besimi në faljen hyjnore janë thurja e kthimbesimit të vërtetë. Me anë të këtyre shenjave do ta njihni Izraelitin e vërtetë.
Për t’u kthyer tek Shkrimi mbi të cilin po përsiatim: si falja ashtu dhe pendimi, që të dy rrjedhin prej së njëjtit burim dhe janë të dhënë prej të njëjtit Shpëtimtar. Zoti Jezus në lavdinë e Tij ia jep njeriut këto të dyja. Nuk keni ku të gjeni gjetkë faljen ose pendimin. Jezusi i ka që të dy gati dhe Ai është gati t’i japë tani dhe t’ua japë krejtësisht falas atyre që do t’i pranojnë në duart e Tij. Mos të harrohet kurrë se Jezusi jep gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë. Është tepër e rëndësishme që të gjithë kërkuesit mbas mëshirës ta mbajnë mend këtë. Besimi është po aq dhurata e Perëndisë sa është edhe Shpëtimtari ku mbështetet ai besim. Pendimi për mëkatin është po aq me të vërtetë vepra e hirit sa edhe vepra e shlyerjes nëpërmjet së cilës mëkati është i fshirë. Shpëtimi nga fillimi në fund është vetëm prej hirit. Nuk keni për të më keqkuptuar. Nuk është Fryma e Shenjtë që pendohet. Ai nuk ka bërë asgjë për të cilën duhet të pendohet. Nëse Ai mund të pendohej, nuk do të hynte në punë; ne vetë duhet të pendohemi prej vetë mëkatit tonë, ose përndryshe nuk jemi të shpëtuar prej pushtetit të tij. Nuk është Zoti Jezu Krisht që pendohet. Për çfarë do të pendohej vallë? Ne vetë pendohemi me gjithë pëlqimin e çdo aftësie të mendjes sonë. Vullneti, ndjenjat, emocionet, të gjitha punojnë bashkë me forcë në veprën e bekuar të pendimit për mëkatin; dhe prapëseprapë mbrapa gjithë kësaj që është vepra jonë personale, ka një ndikim të shenjtë të fshehtë që shkrin zemrën, jep pikëllim dhe prodhon një ndryshim të plotë. Fryma e Perëndisë na ndriçon për të parë se çfarë është mëkati dhe kështu e bën atë të urryeshëm në sytë tanë. Fryma e Perëndisë na kthen gjithashtu drejt shenjtërisë, na bën me gjithë zemër ta vlerësojmë, ta duam dhe dëshirojmë atë dhe kështu na jep hovin nëpërmjet të cilit shpihemi përpara hap pas hapi në shenjtërim. Fryma e Perëndisë punon në ne, duke bërë që të duam dhe të veprojmë sipas vullnetit të mirë të Perëndisë. Kësaj Fryme të mirë le t’i nënshtrojmë menjëherë vetën tonë që të mund të na shpjerë te Jezusi, i Cili do të na japë falas bekimin e dyfishtë të pendimit dhe faljes, sipas pasurive të hirit të Tij.
“Me anë të hirit jeni shpëtuar.”
16) SI ËSHTË I DHËNË PENDIMI?
PËR T’U KTHYER te teksti i madh: “Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t`i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.” Zoti ynë Jezu Krisht ka shkuar lart që hiri të zbresë poshtë. Lavdia e Tij është ne punë për t’i dhënë përhapje me të madhe hirit të Tij. Zoti nuk ka bere as dhe një hap lart përveçse me qëllimin për të sjelle me Të lart mëkataret besimtarë. Ai është i ekzaltuar për të dhënë pendimin ;dhe do ta kuptojmë këtë nëse kujtojmë disa të vërteta të mëdha.
Vepra që Zoti ynë Jezus ka bërë e ka bërë pendimin të mundshëm, të vlefshëm dhe të pranueshëm. Ligji nuk përmend pendimin, por thotë qartë, “Shpirti që mëkaton do të vdesë.” Nëse Zoti Jezus nuk do të kishte vdekur dhe nuk do të ishte ngjallur dhe nuk do të ishte ngritur lart për te Ati, cila do të ishte vlera e pendimit tuaj ose e pendimit tim? Do të ndjenim brejtjen e ndërgjegjes me tmerret e saj, por kurrë ama pendimin me shpresat e tij. Pendimi, si një ndjenjë e natyrshme është një detyrë e zakonshme që nuk meriton ndonjë lavdërim të madh: me të vërtetë, është përgjithësisht aq i përzier me një frikë egoiste dënimi sa edhe vlerësimi më i mirë e çmon fare pak. Nëse Jezusi nuk do të kishte ndërhyrë me pasurinë e meritës se Tij, lotët tona të pendimit do të kishin qenë kaq shumë ujë i derdhur mbi tokë. Jezusi është i lartësuar, që përmes virtytit të ndërhyrjes së Tij pendimi të mund të ketë një vend përpara Perëndisë. Në këtë pikëpamje Ai na jep pendimin, sepse Ai e vendos pendimin në pozicion pranimi, që përndryshe nuk do ta kishte zënë kurrë këtë vend.
Kur Jezusi u lartësua, Fryma e Perëndisë u dha për të punuar në ne të gjitha hiret e nevojshme. Fryma e Shenjtë krijon pendimin në ne duke ripërtëritur mbinatyrshëm natyrën tonë dhe duke hequr prej mishit tonë zemrën prej guri. Oh, mos u ulni poshtë duke shtrënguar ato sytë tuaj për të nxjerrë lot të pamundur! Pendimi nuk vjen prej natyrës së pavullnetshme, por prej hirit falas dhe sovran. Mos shkoni në dhomën tuaj për të goditur kraharorin me qëllim që të nxirrni prej një zemre guri ndjenja që nuk janë atje. Por shkoni te Kalvari dhe shikoni se si Jezusi vdiq. Shikoni lart te kodrat prej nga vjen ndihma juaj. Fryma e Shenjtë ka ardhur me qëllim që të mund të vrenjtë frymët e njerëzve dhe t’i ushqejë pendesë përbrenda po ashtu si një herë kur fluturonte mbi kaosin dhe më pas prodhoi rregull. Lutuni Atij, “Frymë e bekuar, qëndro në mua. Më bëj të butë dhe zemërpërulur që të mund ta urrej mëkatin dhe të pendohem për të pa u shtirur.” Ai do të dëgjojë klithmën tuaj dhe do t’ju përgjigjet.
Kujtoni gjithashtu, se kur Zoti ynë Jezus u lartësua, Ai na dha pendimin jo vetëm duke dërguar Frymën e Shenjtë, por edhe duke ia kushtuar të gjitha veprat e natyrës dhe të providencës qëllimeve të mëdha të shpëtimit tonë, kështu që secili prej tyre të mund të na bëjë thirrje për pendesë, qoftë me këngën e gjelit ashtu si me Pjetrin, qoftë me shkundjen e burgut nga tërmeti ashtu si me rojën e burgut. Që prej krahut të djathtë të Perëndisë, Zoti ynë Jezus sundon të gjitha gjërat këtu poshtë dhe i bën që të punojnë bashkë për shpëtimin e të shlyerve të Tij. Ai përdor si hidhësi ashtu dhe ëmbëlsi, sprova dhe gëzime, që të mund të prodhojë në mëkatarët një mendje më të prirur kundrejt Perëndisë të tyre. Jini mirënjohës për providencën që ju ka bërë të varfër, ose të sëmurë, ose të pikëlluar, sepse me anë të gjithë këtyre Jezusi vepron për jetën e frymës suaj dhe ju kthen te Personi i Tij. Mëshira e Zotit shpesh kalëron në pragun e zemrave tona mbi kalin e zi të pikëllimit. Jezusi përdor të gjithë shtrirjen e përjetimit tonë për të na zvjerdhur nga gjërat e tokës dhe për të na tërhequr drejt Qiellit. Krishti është i lartësuar në fronin e Qiellit dhe tokës me qëllim që nëpërmjet gjithë proceseve të providencës së Tij të mund të nënshtrojë zemra të ngurta në zbutjen e hirshme të pendimit. Përveç kësaj Ai është në punë ne këtë çast me anë të gjitha pëshpërimave të Tij në ndërgjegje, me anë të Librit të Tij të frymëzuar, me anë të atyre që flasin prej këtij Libri dhe me anë të miqve në lutje dhe zemrave të zellshme. Ai mund të të dërgojë një fjalë që do të godasë zemrën tënde prej shkëmbi si me bastunin e Moisiut dhe të bëj të derdhen ujëra pendese. Ai mund të kujtojë në mendjen tënde ndonjë tekst prej Shkrimit të Shenjtë që të këput shpirtin duke të të pushtuar me shpejtësi. Ai mund të të zbusë zemrën në mënyrë të mistershme dhe të shkaktojë një gjendje mendore të shenjtë të depërtojë fshehurazi te ty, atëherë kur e pret më pak. Ji i sigurtë për këtë se Ai që shkoi në lavdinë e Tij, u ngrit në gjithë shkëlqimin dhe madhërinë e Perëndisë, ka mënyra të bollshme për të punuar pendimin në ata që u jep falje. Ai edhe tani po pret të të japë pendim. Kërkoja Atij menjëherë.
Vëre me shumë ngushëllim se Zoti Jezus Krisht ua jep këtë pendim njerëzve më të pagjasë në botë. Ai është i lartësuar për t’i dhënë pendim Izraelit. Izraelit! Në ditët kur apostujt folën kështu Izraeli ishte kombi që pati mëkatuar më rëndë kundër dritës dhe dashurisë duke guxuar të thoshte; “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!” Prapëseprapë Jezusi është i lartësuar për t’u dhënë atyre pendesë! Çfarë mrekullie hiri! Nëse jeni sjellë në dritën e krishterë më të shkëlqyer dhe prapëseprapë e keni hedhur poshtë atë, ka akoma shpresë. Nëse keni mëkatuar kundër ndërgjegjes dhe kundra Frymës së Shenjtë dhe kundra dashurisë së Jezusit, ka akoma hapësirë për pendesë. Edhe pse mund të jesh po aq i ngurtësuar sa Izraeli mosbesues në kohët e vjetra, zbutja mund të vijë prapëseprapë te ty, përderisa Jezusi është i lartësuar dhe i veshur me pushtet të pakufishëm. Për ata që shkuan më larg në paudhësi dhe mëkatuan shumë rëndë, Zoti Jezus është i lartësuar për t’u dhënë pendim dhe falje të mëkateve. Lum unë që kam për të shpallur një ungjill me kaq mbushulli! Lum ju që keni mundësinë ta lexoni atë! Zemrat e bijve të Izraelit qenë bërë të ngurta si diamante. Luteri mendonte se ishte e pamundur të ktheje në besim një hebre. Ne kurrsesi nuk jemi në një mendje me këtë dhe prapëseprapë duhet të pranojmë se pasardhja e Izraelit ka qenë tejet kokëfortë në hedhjen poshtë të tyre të Shpëtimtarit përgjatë këtyre shekujve. Me të vërtetë Zoti tha, “Izraeli nuk më është bindur.” “Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan.” Prapëseprapë për Izraelin Zoti ynë Jezus është i lartësuar për dhënien e pendimit dhe faljen e mëkateve.
Ndoshta lexuesi im është një johebre, por prapëseprapë ai mund të ketë një zemër shumë kokëfortë, që i ka rezistuar Zotit Jezus për shumë vite dhe megjithatë Jezusi mund të jetësojë pendesën brenda tij. Mund të ndodhë se do të ndjeheni të shtrënguar të shkruani njësoj si Uilliam Honi kur iu dha dashurisë hyjnore. Ai është autori i atyre volumeve shumë të këndshëm të quajtur “Libër i përditshëm;” por ama ai ishte një herë një i paudhë zemërgur. Ndërsa i nënshtruar prej hirit sovran, ai shkroi!
Zemra më krenare që ka rrahur ndonjëherë
Është nënshtruar brenda meje;
Vullneti më i egër që u ngrit ndonjëherë
Kauzën tënde të përqeshë dhe armiqtë e Tu të ndihmojë
Është kryqëzuar, prej Teje, Zoti im.
U bëftë vullneti Yt e jo imi;
Zemra ime qoftë përherë Jotja;
Duke të të rrëfyer, Fjala e fuqishme
Krishti im Shpëtimtar, Perëndia im, Zoti im
Kryqi Yt do të jetë shenja ime.
Zoti mund t’i japë pendimin njerëzve më të pagjasë duke kthyer luanët në qengja dhe korbat në pëllumba. Le të shikojmë te Ai që ky ndryshim i madh të mund të kryhet në ne. Me siguri që soditja e vdekjes së Krishtit është një prej mënyrave më të sigurta dhe më të shpejta për të fituar pendimin. Mos u ul dhe mos u përpiq të pomposh pendimin prej pusit të tharë të natyrës së korruptuar. Është kundra ligjeve të mendjes të hamendësosh se mund ta shtysh me forcë veten në atë gjendje të hirshme. Shpjerja zemrën tënde në lutje Atij që e kupton atë dhe thuaji “Zot,pastroje atë. Zot ripërtërije atë: Zot, puno pendesën në të.” Aq më shumë që të përpiqeni që të prodhoni emocione pendimi në veten tuaj, aq më shumë do të zhgënjeheni, por nëse me besim mendoni për Jezusin duke vdekur për ju, pendimi do të gufojë. Përsiat për Zotin duke derdhur gjakun e zemrës së Tij prej dashurisë për ty. Vë përpara syrit të mendjes tënde agoninë dhe djersën e gjakosur, kryqin dhe pasionin; dhe teksa bën këtë, Ai që ishte mbajtësi i gjithë kësaj brenge do të shikojë te ty dhe me atë shikim Ai do të bëj për ty çfarë bëri për Pjetrin, kështu që edhe ti do të dalësh jashtë dhe do të qash me hidhërim. Ai që vdiq për ty mund me anë të Frymës së Tij të hirshme të të bëjë të vdesësh për mëkatin dhe Ai që ka shkuar në lavdi për ty mund të tërheqë shpirtin tënd pas Tij, larg së ligës dhe drejt shenjtërisë.
Do të isha i kënaqur nëse të lë këtë mendim; mos shiko poshtë akullit për të gjetur zjarr, mos shpreso në vetë zemrën tënde të natyrshme për të gjetur pendimin. Shiko te i Gjalli për jetë. Shiko te Jezusi për gjithçka që të nevojitet midis Portës së ferrit dhe Portës së Qiellit. Mos kërko kurrë në ndonjë vend tjetër për ndonjë pjesë të asaj që Jezusi do kaq shumë të japë, por kujto, Krishti është gjithçka.
17) FRIKA E RËNIES PËRFUNDIMTARE
Një frikë e zymtë mundon mendjet e shumë që po vijnë te Krishti; ata kanë frikë se nuk do të këmbëngulin deri në fund. Kam dëgjuar kërkuesin të thotë: “Nëse do ta hidhja shpirtin tim te Jezusi, prapëseprapë po sikur ndoshta në fund të zmbrapsem në humbje. Kam patur më përpara ndjenja të mira dhe ato janë zhdukur pa gjurmë. Mirësia ime ka qenë si reja e mëngjesit dhe si vesa e agimit. Erdhi papritur, zgjati për një kohë, premtoi shumë dhe më pas iku pa lënë gjurmë.” Besoj se kjo frikë është shpesh thelbi i problemit; dhe se disa që kanë pasur frikë t’i mirëbesojnë Krishtit përherë dhe përjetë, kanë dështuar, sepse kanë patur një besim të përkohshëm, që kurrë nuk shkoi aq larg sa duhej për t’i shpëtuar. Ata filluan t’i besonin Jezusit në një farë mase, por duke parë te vetja për vazhdim dhe këmbëngulje në rrugën drejt qiellit; dhe kështu që ata u nisën gabimisht dhe si rrjedhojë e natyrshme, u kthyen mbrapa shpejt. Nëse i besojmë vetes për qëndresën tonë, nuk do të qëndrojmë dot. Edhe sikur të prehemi te Jezusi për një pjesë të shpëtimit tonë do të dështojmë nëse e vëmë besimin te vetja jonë për ndonjë gjë. Asnjë zinxhir nuk është më i fortë se hallka e tij më e dobët: nëse Jezusi është shpresa jonë për gjithçka, përveç një gjëje, do të dështojmë krejtësisht, sepse në atë pikë të vetme do të përfundojmë në dështim. Nuk kam dyshim se një gabim në lidhje me këmbënguljen e shenjtorëve ka parandaluar këmbënguljen e shumë që vraponin mirë. Çfarë i pengoi vallë ata që nuk vazhduan që të vrapojnë? Ata i mirëbesuan vetes për atë vrapim kështu që ndaluan në mes të rrugës. Ki kujdes se mos përzieni sadopak prej vetes me llaçin që ndërton se përndryshe do ta bësh llaç të papërshtatshëm dhe gurët nuk do të mbajnë bashkë. Nëse shikon te Krishti për fillimet e tua ki kujdes se mos shikosh te vetja për mbarimin. Ai është Alfa. Kujdesu që ta bësh Atë Omegën gjithashtu. Nëse fillon në Frymë nuk duhet të shpresosh të bëhesh i përkryer me anë të mishit. Fillo ashtu si ke ndërmend të vazhdosh dhe vazhdo si fillove dhe Zoti le të jetë gjithçka në gjithçka në ty. Oh, Perëndia Fryma e Shenjtë na dhëntë një ide të qartë se prej nga duhet që të vijë forca me anë të cilës do të ruhemi deri në ditën e shfaqjes së Zotit! Ja çfarë Pali tha një herë në lidhje me këtë pikë kur po i shkruante korintasve:
Zoti ynë Jezu Krishtit, i cili edhe do t`ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit. Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë. {#1 Korintasve 1:8, 9}
Kjo gjuhë heshtazi pranon një nevojë të madhe duke na treguar se si është e plotësuar. Sa herë që Zoti bën një furnizim, jemi më se të sigurtë se ishte e nevojshme, përderisa nuk ka kotësi që rëndojnë besëlidhjen e Hirit. Mburoja të arta që nuk u përdorën kurrë varen në oborret e Solomonit, por nuk ka gjëra të tilla në armëtoren e Perëndisë. Atë që Perëndia ka dhënë me siguri që do të na nevojitet. Midis kësaj ore dhe shpërbërjes së të gjitha gjërave çdo premtim i Perëndisë dhe furnizim i besëlidhjes së Hirit do të shfrytëzohet. Nevoja urgjente e shpirtit besimtar është përforcimi, vazhdimësia, këmbëngulja përfundimtare, ruajtja deri në fund. Kjo është nevoja e besimtarëve më të përparuar, sepse Pali po i shkruante shenjtorëve në Korint, që ishin njerëz fisnikë, për të cilët ai mund të thoshte, “Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,” Njerëz të tillë janë pikërisht ata që pa pikë dyshimi ndjejnë se kanë nevojë të përditshme për hir të freskët nëse do të donin të mbaheshin dhe të vijonin dhe të dilnin fitimtarë së fundmi. Nëse nuk do të ishit të shenjtë nuk do të kishit hir dhe nuk do të ndjenit nevojë për më tepër hir, por ngaqë jeni njerëz të Perëndisë, prandaj ndjeni kërkesat e përditshme të jetës shpirtërore. Statuja prej mermeri nuk kërkon ushqim, por njeriu i gjallë ka uri dhe etje dhe gëzohet se buka dhe uji i janë siguruar se përndryshe fuqitë do ta linin përgjatë rrugës. Nevojat vetjake të besimtarit e bëjnë të pashmangshme faktin se i duhet që të nxjerrë përditë prej burimit të madh të të gjitha furnizimeve, sepse çfarë do të mund të bënte vallë nëse nuk do të mundte të mbështetej te Perëndia i tij.
Kjo është e vërtetë për shenjtorët më me dhunti midis shenjtorëve—prej atyre njerëzve në Korint që ishin të pasuruar me çdo shprehi dhe çdo njohuri. Ata kishin nevojë të vërtetoheshin deri në fund, ose përndryshe dhuntitë dhe arritjet e tyre do t’i rrënonin. Sikur të njihnim gjuhët e njerëzve dhe engjëjve dhe nëse nuk do të merrnim hir të freskët, ku do të ishim vallë? Sikur të kishim të gjithë përvojën derisa të ishim etër në kishë—sikur të ishim mësuar prej Perëndisë sa të kuptojmë të gjitha misteret—prapëseprapë nuk do të mund të jetonim as dhe një ditë të vetme pa jetën hyjnore duke u derdhur te ne prej Kreut Besëlidhës. Si do të mund të shpresonim vallë të mbaheshim më këmbë edhe për një orë të vetme, për të mos thënë asgjë për një jetë të tërë, nëse Zoti nuk na mban? Ai që filloi veprën e mirë në ne duhet ta vazhdojë atë deri në ditën e Krishtit, ose përndryshe do të ishte një dështim i dhimbshëm.
Kjo nevojë e madhe lind për një pjesë të madhe nga vetë vetja jonë. Te disa ka një frikë të dhimbshme se ata nuk do të këmbëngulin në hir, sepse e dinë se janë levarashë. Disa njerëz janë prej natyre të paqëndrueshëm. Të tjerë janë prej natyre konservatorë, për të mos thënë kokëfortë, por të tjerë janë po aq natyrshëm të ndryshueshëm dhe të paqëndrueshëm. Ashtu si flutura ata bredhërijnë nga lule më lule derisa të kenë vizituar të gjitha bukuritë e kopshtit, por nuk vendosen në asnjë nga ato. Ata nuk qëndrojnë kurrë aq gjatë sa duhet për të bërë ndonjë të mirë; madje as në ndërmarrjen e tyre ose në punët intelektuale. Njerëz të tillë me vend kanë frikë se dhjetë, njëzet, tridhjetë, dyzet, ndoshta pesëdhjetë vite vigjilencë e vazhdueshme fetare janë me të vërtetë tepër për ta. Shikojmë njerëz që i bashkohen së pari një kishe dhe më pas një tjetre pa pushuar. Ata janë çdo gjë me radhë dhe asgjë për një kohë të gjatë. Njerëz të tillë kanë nevojë të dyfishtë të luten që të mund të përforcohen hyjnisht dhe që të mund të bëhen jo vetëm të qëndrueshëm, por të palëkundshëm, ose përndryshe nuk do të gjenden “duke tepruar përherë në veprën e Zotit.”
Të gjithë prej nesh, edhe nëse prej natyre nuk jemi levarashë duhet që të ndjejmë vetë dobësinë tonë nëse jemi me të vërtetë të ngjallur prej Perëndisë. Lexues i dashur, a nuk gjen shkak mjaftueshëm çdo ditë të vetme për të të bërë të pengohesh? Ti që dëshiron të ecësh në shenjtëri të përkryer, ashtu siç besoj se dëshiron me të vërtetë; ti që ke vënë përpara teje një standard të lartë se çfarë duhet të jetë një i krishterë—a nuk ju duket se përpara se të pastrohet tryeza e vaktit të mëngjesit keni shfaqur mjaft çmenduri sa t’ju vijë turp prej vetes? Sikur të mbylleshim në kthinën e vetmuar të një hermiti, tundimi do të na ndiqte, sepse për aq gjatë sa nuk mund të shpëtojmë prej vetes sonë, nuk mund të shpëtojmë dot prej nxitjeve për të mëkatuar. Është kjo pra përbrenda zemrave tona që duhet të na bëjë vigjilent dhe të përulur përpara Perëndisë. Nëse Ai nuk na përforcon, ne jemi kaq të dobët sa do të pengohemi dhe do të biem; jo të përmbysur prej një armiku, por prej vetë pakujdesisë sonë. Zot, ji Ti forca jonë. Ne jemi dobësia vetë.
Përveç kësaj është lodhja që vjen prej një jete të gjatë. Kur fillojmë rrëfimin e besimit tonë të krishterë ngjitemi lart me krahë si shqiponja; më pas vrapojmë pa lodhje; por në ditët tona më të mira dhe më të mirëfillta ne ecim pa u ligështuar. Hapat tona duken më të ngadalta, por ama janë më të vendosur e më të qëndrueshëm. I lutem Perëndisë që energjia e rinisë sonë të mund të vazhdojë me ne nëse është forca e Frymës dhe jo thjesht ndezullia e mishit krenar. Ai që ecën në rrugën për në Qiell prej një kohe të gjatë, i duket se kishte arsye të mira pse u premtua se këmbët e tyre do të mbathnin hekur dhe bronz. sepse rruga është e ashpër. Ai ka zbuluar se ka Kodra Vështirësie dhe Lugina Përuljeje; se ka një Luginë e Hijes së Vdekjes dhe akoma më keq, ka një Panair Kotësie—dhe të gjitha këto duhet të përshkohen. Ashtu si ka Male të ëndshme (dhe faleminderit Perëndisë, ka me të vërtetë), ka gjithashtu Kështjella Dëshpërimi, brendësinë e të cilave pelegrinët e kanë parë tepër shpesh. Duke marrë në konsideratë të gjitha gjërat, ata që arrijnë deri në fund në rrugën e shenjtërisë do të jenë për këtë arsye “njerëz më se të habitur.”
“O botë çudirash, nuk mund të them më pak se kaq.”
Ditët e jetës së të krishterit janë si shumë perla mëshirë të shkuara në fillin e artë të besnikërisë hyjnore. Në Qiell do t’i flasim engjëjve, principatave, pushteteve, për pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit që u përdorën për ne dhe u gëzuan prej nesh ndërsa ishim këtu poshtë. Ne jemi mbajtur gjallë në buzë të vdekjes. Jeta jonë shpirtërore ka qenë një flakë e pashueshme në mesin e detit, një gur që ka qëndruar i varur në ajër. Do të mrekullohet universi të na shikojë duke hyrë në portat prej perlash, të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. Ne duhet të jemi plot me habi mirënjohëse nëse jemi ruajtur dhe për një orë dhe besoj se jemi mirënjohës.
Nëse kjo do të ishte gjithçka, do të kishte shkak të mjaftueshëm për ankth, por ka akoma më shumë. Duhet të mendojmë se në çfarë vendi jetojmë. Bota është një shkretëtirë e egër për shumë prej njerëzve të Perëndisë. Disa nga ne janë shumë të përkëdhelur në providencën e Perëndisë, por të tjerë luftojnë ashpër. Ne fillojmë ditën në lutje dhe shumë shpesh dëgjojmë tingullin e këngës së shenjtë në shtëpitë tona, por shumë njerëz të mirë, të gjunjëzuar në lutje, sapo ngrihen më këmbë për të nisur ditën dhe aty për aty përshëndeten me blasfemi. Ata nisen të punojnë dhe gjatë gjithë ditës mundohen me bisedime të fëlliqura ashtu si Loti i drejtë në Sodomë. A mund të ecësh vallë në rrugë publike pa i pasur veshët të lënduar prej gjuhës së pistë? Bota nuk është mik me hirin. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këtë botë është të kalojmë përmes saj aq shpejt sa mundemi, sepse ne banojmë në vendin e një armiku. Një kusar rri në pritë në çdo vend. Kudo na duhet që të udhëtojmë me një “shpatë të zhveshur” në dorën tonë, ose së paku me atë armë përherë në anën tonë që quhet plot-lutje, sepse kemi për të luftuar për çdo centimetër të udhës sonë. Mos bëj gabim në lidhje me këtë se përndryshe do të shkundesh ashpër prej iluzionit tënd të dashur. O Perëndi, na ndihmo dhe na përforco deri në fund, se përndryshe çdo ndodhte me ne?
Feja e vërtetë është e mbinatyrshme në fillimin e saj, e mbinatyrshme në vazhdimin e saj dhe e mbinatyrshme në mbylljen e saj. Është vepra e Perëndisë nga e para deri te e fundit. Është shumë e nevojshme që dora e Zotit të mund të shtrihet përsëri: këtë nevojë lexuesi im po e ndjen tani dhe jam i gëzuar se ai e ndjen këtë, sepse tani ai do të shikojë për vetë ruajtjen e tij te Zoti i Cili vetëm mund të na ruajë nga çdo rrëzim dhe të na përlëvdojë me Birin e Tij.
18) VËRTETIM
Do të doja që të vinit re sigurinë që Pali me mirëbesim priste për të gjithë shenjtorët. Ai thotë—”i cili edhe do t`ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.” Ky është ai lloj vërtetimi që duhet dëshiruar mbi çdo gjë tjetër. E shikoni pra se teksti i supozon njerëzit të drejtë dhe propozon t’i vërtetojë në drejtësinë. Do të ishte një gjë e tmerrshme të vërtetoje një njeri në rrugët e mëkatit dhe gabimit. Pa mendoni për një pijanec të vërtetuar ose një hajdut të vërtetuar ose një gënjeshtar të vërtetuar. Do të ishte një gjë e vajtueshme për një njeri të vërtetohej në mosbesim dhe paperëndishmëri. Miratimi hyjnor mund të gëzohet vetëm prej atyre të cilëve hiri i Perëndisë u është shfaqur tashmë. Është vepra e Frymës së Shenjtë. Ai që jep besimin e forcon dhe e vërteton atë. Ai që ndez dashuri në ne e ruan atë dhe rrit flakën e saj. Atë çfarë Ai na jep të njohim nëpërmjet mësimit të Tij të parë, Fryma e mirë na bën ta njohim me qartësi dhe siguri më të madhe duke na mësuar përsëri dhe përsëri. Veprimet e shenjta vërtetohen derisa bëhen zakone dhe ndjenjat e shenjta vërtetohen derisa bëhen gjendje të qëndrueshme. Përjetimi dhe praktika vërtetojnë besimin dhe vendimet tona. Si gëzimet po ashtu dhe pikëllimet tona,sukseset dhe dështimet tona,janë të shenjtëruara për të njëjtin qëllim: po ashtu si pema që ndihmohet të rrënjoset si prej shiut të imët po ashtu dhe prej erërave të forta. Mendja merr mësim dhe në njohurinë e saj gjithnjë e më të madhe mbledh arsye për të këmbëngulur në udhën e mirë. Zemra merr ngushëllim dhe bëhet kështu t’i ngjitet më ngushtë të vërtetës ngushëlluese. Mbërthimi bëhet më i fuqishëm dhe hapi më i qëndrueshëm dhe vetë njeriu bëhet më i fortë dhe më i qenësishëm.
Kjo nuk është thjesht një rritje e natyrshme, por është po aq një vepër e posaçme e Frymës sa kthimi në besim. Zoti me siguri do t’ia japë këtë atyre që po mbështeten te Ai për jetë të përjetshme. Me anë të veprës së Tij të brendshme Ai do të na çlirojë prej gjendjes sonë “të rrëmbyer (të paqëndrueshëm) si uji” dhe do të na bëjë të jemi të rrënjosur dhe të themeluar. Është pjesë e mënyrës me anë të cilës Ai na shpëton—duke na ndërtuar në Krishtin Jezus dhe duke na bërë që të qëndrojmë në Të. Lexues i shtrenjtë, mund të kërkosh përditë këtë gjë dhe nuk ke për t’u zhgënjyer. Ai të Cilit i mirëbeson do të të bëjë të jesh si një pemë e mbjellë pranë ujërave të bollshme, aq i ruajtur sa madje edhe gjethja nuk do të të vyshket.
Çfarë force për një kishë që është një i krishterë i vërtetuar! Ai është një ngushëllim për të pikëlluarit dhe një ndihmë për të dobëtin. A nuk do të doje të ishe i tillë? Besimtarët e vërtetuar janë shtylla në shtëpinë e Perëndisë tonë. Ata nuk merren tutje prej çdo ere doktrine as nuk përmbysen prej tundimit të papritur. Ata janë një qëndresë e madhe për të tjerët dhe veprojnë si spiranca në kohë trazire për Kishën. Ti që po fillon jetën e shenjtë zor se guxon të shpresosh se do të bëhesh si ata. Një prej këtyre ditëve ti që je tani “një foshnjë” në djep do të jesh një “at” në kishë. Shpreso për këtë gjë të madhe, por shpreso për të si një dhurim hiri dhe jo si shpërblim i punës ose si prodhimi i vetë energjisë tënde.
Apostulli Pal flet i frymëzuar për këta njerëz se kanë për t’u vërtetuar deri në fund. Ai priste prej hirit të Perëndisë t’i ruante ata personalisht deri në fund të jetës së tyre, ose derisa Jezusi të vijë. Me të vërtetë, ai priste që e gjithë Kisha e Perëndisë në çdo vend dhe në çdo kohë do të ruhej deri në fund të hirdhënies derisa Zotit Jezus si dhëndri të vijë për të kremtuar banketin martesor me Nusen e Tij të bërë e përsosur. Të gjithë ata që janë në Krisht do të vërtetohen në Të deri në atë ditë të shkëlqyeshme. Ai nuk ka thënë vallë Ai, “Sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni?” Ai tha gjithashtu, “Unë u jap deleve të Mia jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora Ime.”Ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. Vepra e hirit në shpirt nuk është një ndreqje sipërfaqësore; jeta e mbjellur nga lindja sërish, vjen prej një fare të gjallë dhe të pakorruptueshme që jeton dhe mbetet përherë; dhe premtimet e Perëndisë të bëra besimtarëve nuk janë të një karakteri kalimtar, por nënkuptojnë për përmbushjen e tyre qëndrimin e besimtarit në udhën e mirë derisa të mbërrijë në lavdinë e pafundme. Ne jemi të mbajtur prej fuqisë së Perëndisë, nëpërmjet besimit për shpëtimin. “I drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij.” Jo si rezultati i vetë meritës apo fuqisë sonë, por si një dhurim favori falas dhe të pamerituar për ata që besojnë se janë “të ruajtur në Krishtin Jezus.” Jezusi nuk do të humbasë asnjë prej qengjave të kopesë së Tij, asnjë gjymtyre e trupit të Tij nuk do të vdesë; asnjë gur i çmuar i thesarit të Tij nuk do të mungojë në ditën kur Ai do të mbledhë gurët e Tij të çmuar. Lexues i shtrenjtë, shpëtimi që është i marrë nëpërmjet besimit nuk është një gjë muajsh apo vitesh, sepse Zoti ynë Jezus ka “fituar një shpëtim të amshuar (të përjetshëm)” për ne dhe ajo që është e përjetshme nuk ka fund.
Pali shpall gjithashtu pret se shenjtorët e Korintit do të jenë “të vërtetuar deri në fund të paqortueshëm.” Kjo paqortueshmëri është një pjesë e çmuar e ruajtjes sonë. Të ruhesh i shenjtë është më mirë se sa thjesht të ruhesh i sigurtë. Është një gjë e tmerrshme kur shikon njerëz fetarë duke rënë nga një turp në tjetrin; ata nuk kanë besuar në fuqinë e Zotit tonë për t’i bërë të paqortueshëm. Jetët e disa të ashtuquajtur të krishterëve janë një varg rrëzimesh; ata nuk janë kurrë tërësisht poshtë dhe prapëseprapë rrallë janë më këmbë. Kjo nuk është një gjë e mirë për një besimtar; ai është i nxitur të ecë me Perëndinë dhe me anë të besimit ai mund të arrijë në këmbëngulje të qëndrueshme në shenjtëri; dhe ai duhet të bëjë ashtu. Zoti është i aftë jo vetëm të na shpëtojë prej ferrit, por të na ruajë prej rënies. Nuk duhet t’i dorëzohemi tundimit. A nuk është e shkruar, “Mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju?” Zoti mund të forcojë këmbët e shenjtorëve të Tij; dhe Ai do ta bëjë këtë gjë nëse i mirëbesojmë se Ai do të bëjë ashtu. Ne nuk kemi pse të fëlliqim rrobat tona, ne mund me anë të hirit të Tij t’i ruajmë të panjollosura prej botës; jemi të detyruar ta bëjmë këtë, “sepse pa shenjtërinë asnjë njeri nuk ka për ta parë Zotin.”
Apostulli profetizoi për këta besimtarë atë që ai do të donte që ne të kërkojmë—që ne të mund të ruhemi “të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krisht.” Versioni i rishikuar thotë “pa të metë” në vend të “pa të metë.” Ndoshta një përkthim më i mirë do të ishte “të pafaj.” Perëndia dhëntë që në atë ditë të madhe të fundit të mund të qëndrofshim të lirë nga çdo akuzë, që asnjë në të gjithë universin mos të guxonte të sfidonte mbrojtjen tonë si të shlyerit e Zotit. Kemi mëkate dhe dobësi, shkaqe për vajtim, por këto nuk janë ato lloj të metash që do të dëshmonin se jemi jashtë Krishtit; ne do të jemi të pastër prej hipokrizisë, mashtrimit, urrejtjes dhe kënaqësisë në mëkat, sepse përndryshe këto gjëra do të ishin akuza vdekjeprurëse. Me gjithë dobësitë tona, Fryma e Shenjtë mund të punojë në ne një karakter të panjollë përpara njerëzve; kështu që, ashtu si Danieli, nuk do t’i japim rast gjuhëve akuzuese, përveç në punët e fesë sonë. Mori burrash dhe grash të përshpirtshme kanë vënë në pah jetë kaq të tejdukshme kaq tërësisht të njëtrajtshme sa askush nuk mund t’i përgënjeshtrojë. Zoti do të mund të thotë për shumë besimtarë ashtu si për Jobin, kur satanai qëndroi përpara Tij, “E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t`i largohet së keqes.” Kjo është ajo që lexuesi im duhet që të kërkojë në duart e Zotit. Ky është triumfi i shenjtorëve—të vazhdojnë të ndjekin Qengjin kudo që Ai shkon, duke ruajtur ndershmërinë tonë si përpara Perëndisë së gjallë. Mos u drejtofshim kurrë në rrugë të shtrembra dhe mos t’i japim shkak kundërshtarit të blasfemojë. Për besimtarin e vërtetë është e shkruar, “ai e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë.” Qoftë e shkruar kështu në lidhje me ne!
Ti mik që sapo ke filluar në jetën hyjnore, Zoti mund të të japë një karakter të paqortueshëm. Edhe pse në jetën tënde të kaluar mund të kesh shkuar shumë larg në mëkat, Zoti mund të të çlirojë tërësisht prej pushtetit të zakoneve të mëparshme dhe të të bëjë një shembull virtyti. Ai jo vetëm që mund të të bëjë të moralshëm, por Ai mund të të bëjë të urresh çdo udhë të rreme dhe të shkosh mbas gjithçkaje që është e shenjtë. Mos dysho për këtë. Kreu i mëkatarëve nuk ka pse të jetë as dhe një thërrime më pak se sa i shenjti më i pastër. Beso këtë dhe do të të bëhet sipas besimit tënd. Oh, çfarë gëzimi do të jetë të gjendesh i paqortueshëm në ditën e gjykimit! Nuk këndojmë më kot kur i bashkohemi këtij himni të hijshëm:
Me kurajë atë ditë të madhe do qëndroj
Sepse kush do mund të më akuzojë
Ndërsa jam i shlyer me anë të gjakut Tënd
Prej mallkimit dhe turpit të mëkatit të pamend.
Çfarë lumnie do të jetë të gëzosh atë kurajë të pashoqe, kur qielli dhe toka do të ikin pa gjurmë larg prej fytyrës së Gjykatësit të gjithçkaje! Kjo lumni do të jetë risku i secilit që shikon vetëm te hiri i Perëndisë në Krishtin Jezus dhe në atë fuqi të shenjtë i bën luftë të vazhdueshme çdo mëkati.
19) PSE SHENJTORËT KËMBNGULIN?
Shpresa që mbushi zemrën e Palit në lidhje me vëllezërit korintas e pamë tashmë se ishte plot me ngushëllim ndaj atyre që dridheshin në lidhje me të ardhmen e tyre. Po pse vallë kështu se ai besonte se vëllezërit do të vërtetoheshin deri në fund? Do të doja që të vinit re se ai jep arsyet e tij. Ja ku janë!
“Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.” (1 Korintasve 1:9)
Apostulli nuk thotë, “Ju jeni besnikë.” Sa keq! Besnikëria e njeriut është një gjë që nuk i zihet besë; është fare kotësi. Ai nuk thotë, “Keni shërbenjës besnikë për t’ju udhëhequr e udhërrëfyer dhe prandaj besoj se do të jeni të sigurtë.” Oh jo! Nëse ruhemi prej njerëzve do të ruhemi keqazi. Ai e thotë haptazi. “Besnik është Perëndia.” Nëse kemi për t’u gjetur besnik është ngaqë Perëndia është besnik. Mbi besnikërinë e Perëndisë tonë besëlidhës duhet të prehet e gjithë pesha e shpëtimit tonë. Mbi këtë atribut të lavdishëm të Perëndisë varet puna. Ne jemi të ndryshueshëm si era, të brishtë si rrjetë merimange, të dobët si ujë. Ne nuk mund të varemi dot te cilësitë tona të natyrshme, ose arritjet tona shpirtërore, por Perëndia mbetet besnik. Ai është besnik në dashurinë e Tij, Ai nuk njeh ndryshueshmëri, as hije pendimi. Ai i është besnik qëllimit të Tij; Ai nuk fillon një punë dhe më pas e lë të pabërë. Ai i është besnik marrëdhënieve të Tij; si At Ai nuk heq dorë prej fëmijëve të Tij, si një mik Ai nuk do ta mohojë popullin e Tij, si Krijues Ai nuk do ta braktisë veprën e duarve të Tij. Ai i është besnik premtimeve të Tij dhe nuk do të lejojë që as dhe një prej tyre të dështojë për çdo besimtar. Ai i është besnik besëlidhjes së Tij, që Ai ka bërë me ne në Krishtin Jezus dhe ka miratuar në gjakun e flijimit të Tij. Ai i është besnik Birit të Tij dhe nuk do të lejojë që gjaku i Tij i çmuar të derdhet më kot. Ai i është besnik njerëzve të Tij të cilëve u ka premtuar jetë të përjetshme dhe nuk do t’u kthejë kurrizin.
Besnikëria e Perëndisë është themeli dhe guri i qoshit i shpresës sonë të këmbënguljes përfundimtare. Shenjtorët do të këmbëngulin në shenjtëri, sepse Perëndia këmbëngul në hir. Ai këmbëngul të bekojë dhe prandaj besimtarët këmbëngulin në bekimet e marra. Ai vazhdon t’i ruajë njerëzit e Tij dhe prandaj ata vazhdojnë t’i ruajnë urdhërimet e Tij. Kjo është tokë e mirë e fortë për të vendosur këmbët dhe përputhet si jo më mirë me titullin e këtij libri të vogël, “Gjithçka prej hirit.” Kështu pra, është favori falas dhe mëshira e pafundme që tingëllon në agimin e shpëtimit dhe po të njëjtat kambana të ëmbla tingëllojnë me melodi përgjatë gjithë ditës së hirit.
E shikoni pra se të vetmet arsye për të shpresuar se do të vërtetohemi deri në fund dhe se do të jemi të paqortueshëm në fund fare, gjenden në Perëndinë tonë, por në Të këto arsye janë tepër të bollshme.
Ata qëndrojnë së pari, në çfarë Perëndia ka bërë. Ai ka shkuar aq larg në bekimin tonë sa nuk është e mundur për Të të zmbrapset. Pali na kujton se Ai “na ka thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit.” A na ka thirrur? Atëherë thirrja nuk mund të tërhiqet mbrapsht, sepse “dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.” Zoti nuk heq dorë prej thirrjes së efektshme të Hirit të Tij. “Ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi:” kjo është rregulla e pandryshueshme e procedurës hyjnore. Ka një thirrje të përgjithshme, për të cilën thuhet; “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur,” por kjo për të cilën ne mendojmë tani është një tjetër lloj thirrjeje, që tregon dashuri të veçantë dhe nevojit zotërimin e asaj për të cilën jemi thirrur. Në këtë rast është e njëjta gjë me ata që janë thirrur po ashtu si me pasardhjen e Abrahamit për të cilën Zotit tha, “Të kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: “Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë.”
Në atë që Zoti ka bërë shikojmë arsye të forta për ruajtjen tonë dhe lavdinë e ardhshme, sepse Zoti na ka thirrur në shoqërimin me Birin e Tij Jezu Krisht. Kjo do të thotë në bashkësi me Jezu Krishtin dhe do të doja që ta merrnit në konsideratë me kujdes çfarë kuptimi ka. Nëse jeni me të vërtetë të thirrur prej hirit hyjnor, keni hyrë në shoqërim me Zotin Jezus Krisht, aq sa jeni bashkë zotërues me Të në të gjitha gjërat. Prandaj ju jeni një në Të nën sytë e Shumëtëlartit. Zoti Jezus mbajti mëkatet tuaja në vetë trupin e Tij mbi dru, duke u bërë një mallkim në vendin tuaj, dhe në të njëjtën kohë Ai është bërë drejtësia juaj, kështu që ju jeni të shfajësuar në Të. Ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i juaji. Ashtu si Adami përfaqësoi pasardhësit e tij po ashtu Jezusi qëndron në vendin e të gjithë atyre që janë në Të. Po ashtu si burri dhe gruaja janë një po ashtu është Jezusi një me gjithë ata që janë të bashkuar me Të me anë të besimit; një nëpërmjet një bashkimi kurore që nuk mund të thyhet kurrë. Më shumë se kaq, besimtarët janë gjymtyrët e Trupit të Krishtit dhe kështu janë një në Të me anë të një bashkimi të dashur, të gjallë, të qëndrueshëm. Perëndia na ka thirrur në këtë bashkim, këtë shoqërim, këtë bashkësi dhe me anë të vetë këtij fakti Ai na ka dhënë dëshminë dhe kaparin e vërtetimit tonë deri në fund. Nëse do të konsideroheshim veçmas prej Krishtit do të ishim cungje të shkretë të vdekshëm, shpejt të shpërndarë tutje dhe të shpjerë për në shkatërrim, por duke qenë një me Jezusin ne jemi bërë pjesëtarë të natyrës së Tij dhe jemi veshur me jetën e Tij të pavdekshme. Fati ynë është i lidhur me atë të Zotit tonë dhe do të ishte e mundur që ne të vdisnim veçse nëse Ai do të mund të shkatërrohej.
Qëndroni shumë në këtë bashkësi me Birin e Perëndisë, në të cilën jeni thirrur, sepse e gjithë shpresa juaj qëndron aty. Nuk mund të jeni kurrë të varfër ndërsa Jezusi është i pasur përderisa jeni në një shoqëri me Të. Asnjë mungesë nuk do t’ju prekë përderisa jeni bashkëzotërues me Atë që është Zotëruesi i Qiellit e tokës. Nuk mund të dështoni kurrë, sepse edhe pse një prej ortakëve në shoqëri do të ishte po aq i këputur sa një varfanjak dhe një i falimentuar këmbë e krye, që nuk mund të paguajë dot as edhe një shumë të vogël të borxheve të tij të rënda, prapëseprapë ortaku tjetër është i pasur në mënyrë të pashtershme dhe të papërfytyrueshme. Në një ortakëri të tillë je i ngritur mbi amullinë e kohërave, ndryshimeve të së ardhmes dhe tronditjes së fundit të të gjitha gjërave. Zoti të ka thirrur në shoqërimin e Birit të Tij Jezu Krisht dhe me anë të këtij akti dhe vepre Ai të ka vendosur në vendin e një mbrojtjeje të padështueshme.
Nëse je me të vërtetë një besimtar je një me Jezusin dhe prandaj je i sigurtë. A nuk e kupton vallë se duhet të jetë kështu? Duhet që të vërtetohesh deri në fund deri në ditën e shfaqjes së Tij, nëse je bërë me të vërtetë një me Jezusin nëpërmjet aktit të parevokueshëm të Perëndisë. Krishti dhe mëkatari besimtar janë në të njëjtën barkë: besimtari do të mbytej sikur Jezusi të mund të zhytej në ujra. Jezusi i ka sjellë të shlyerit e Tij në një lidhje të tillë me vetveten sa Ai duhet i pari të goditet, të mposhtet dhe të çnderohet përpara se më i vogli i të blerëve të Tij të mund të dëmtohej. Emri i Tij është në kreun e shoqërisë dhe jemi të siguruar kundra çdo tmerr dështimi përderisa Ai nuk mund të ç’nderohet.
Kështu pra atëherë me mirëbesimin më të madh le të shkojmë përpara në të ardhmen e panjohur, të lidhur përjetësisht me Jezusin. Nëse njerëzit e botës do të thërrisnin, “Kush është ai që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj?” Ne do të rrëfejmë me gëzim se mbështetemi fort te Jezusi dhe se kemi ndërmend të mbështetemi te Ai akoma më shumë e më shumë. Perëndia ynë besnik është një burim gufues ëndjeje dhe shoqërimi ynë me Birin e Perëndisë është një lum i fryrë gëzimi. Duke ditur këto gjëra të lavdishme ne nuk mund të shkurajohemi; jo, përkundrazi ne thërrasim me apostullin; “Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”
20 )MBYLLJA
Nëse lexuesi im nuk më ka ndjekur hap pas hapi teksa ka lexuar këto faqe, më vjen me të vërtetë keq. Leximi i një libri është me pak vlerë nëse të vërtetat që kalojnë përpara mendjes nuk kapen, nuk përvetësohen dhe nuk vihen në praktikë. Është njëlloj sikur dikush të shikonte plot ushqim në një dyqan dhe prapëseprapë mbetet i uritur ngaqë nuk ushqehet për veten e tij. Është krejtësisht e kotë, lexues i shtrenjtë, që unë dhe ti jemi takuar, nëse nuk ke mbërthyer me të vërtetë Krishtin Jezus, Zotin tim. Përsa më përket mua, kisha një dëshirë të veçantë për të qenë i dobishëm për ty dhe kam bërë gjithçka që mundja për këtë qëllim. Më dhemb zemra që nuk kam mundur të të bëj mirë, sepse kam dëshiruar me zjarr ta fitoj këtë privilegj. Po mendoja për ty kur shkrova këtë faqe dhe lëshova pendën time dhe solemnisht përkula gjunjët e mi në lutje për këdo që do ta lexojë. Është bindja ime e fortë se një numër i madh lexuesish do të marrin një bekim edhe pse ti kundërshton të bësh pjesë aty. Po pse duhet që të kundërshtosh? Nëse nuk dëshiron bekimin e zgjedhur që do të doja të të sillja te ty, së paku tregohu i drejtë me mua të pranosh se faji për gjykimin tënd të fundit nuk do të qëndrojë në derën time. Kur ne të dy do të takohemi para fronit të madh të bardhë, nuk do të mund të më akuzosh se e kam kërkuar më kot vëmendjen që pate kënaqësinë të më jepje ndërsa po lexoje librin tim të vogël. Perëndia e di se shkrova çdo rresht për të mirën tënde të përjetshme. Tani në frymë të marr prej dore. Të mbërthej fort. A e ndjen shtrëngimin tim vëllazëror? Lotët janë në sytë e mi teksa të shikoj dhe të them, e pse të vdesësh vallë? A nuk do të mendoje vallë për fatet e shpirtit tënd? A do të vdisje vallë thjesht nga pakujdesia? Oh mos bëj kështu, por pesho këto çështje solemne dhe merre seriozisht çështjen e shpëtimit. Mos kundërshto Jezusin, dashurinë, gjakun, shpëtimin e Tij. E pse do ta bëje vallë këtë? A do ta bëje vallë me të vërtetë?
Të përgjërohem, mos iu shmang Shpëtimtarit tënd!
Nëse, në anën tjetër, lutjet e mia dëgjohen dhe ti lexuesi im je shpjerë t’i mirëbesosh Zotit Jezus dhe të marrësh prej Tij shpëtimin prej hirit, atëherë mbahu përherë te kjo doktrinë dhe kjo mënyrë jetese. Le të jetë Jezusi gjithçkaja jote në gjithçka dhe le të jetë hiri falas mjedisi i vetëm në të cilin jeton dhe lëviz. Nuk ka jetë si ajo e dikujt që jeton në favorin e Perëndisë. Të marrësh gjithçka si një dhurim falas ruan mendjen prej krenarisë egoiste dhe prej dëshpërimit vetë akuzues. E bën zemrën të ngrohet me dashuri mirënjohëse dhe kështu krijon një ndjenjë në shpirt që është pafundësisht më e pranueshme për Perëndinë se çdo gjë tjetër që mund të vijë nga frika prej skllavi. Ata që shpresojnë të shpëtohen duke u përpjekur të bëjnë ç’të munden nuk njohin asgjë në lidhje me gjallëri të zjarrtë, atë ngrohtësi të shenjtë, atë gëzim të devotshëm në Perëndinë, që vjen me shpëtimin e dhënë falas sipas hirit të Perëndisë. Fryma prej skllavi e vetë-shpëtimit nuk mund të krahasohet me frymën e gëzueshme të adoptimit. Ka më shumë virtyt të vërtetë në emocionin më të vogël të besimit se sa në të gjitha orvatjet e një skllavi të lidhur me zinxhirët e ligjit ose në gjithë mënyrën e lodhshme të të devotshmëve që do të donin të ngjiteshin në Qiell me tinguj ritesh. Besimi është shpirtëror dhe Perëndia që është frymë, gjen ëndje në të për këtë arsye. Vite lutjesh, kishëvajtjesh, ritesh dhe veprash mund të jenë veçse një neveri nën sytë e Jehovait, por një shikim prej syrit të besimit të vërtetë është shpirtëror dhe prandaj është i shtrenjtë për Të. “Të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.” Kujdesuni së pari për njeriun e brendshëm dhe atë shpirtëror dhe ajo që mbetet do të ndjekë në kohën e duhur.
Nëse vetë je shpëtuar, ji vigjilent për shpirtrat e të tjerëve. Zemra jote nuk do të begatojë nëse nuk është e mbushur me përkujdesje të madhe për të bekuar të afërmin tënd. Jeta e shpirtit tënd qëndron në besimin; shëndeti i tij qëndron në dashurinë. Ai që nuk dëshiron me zjarr të shpjerë të tjerë te Jezusi nuk ka qenë kurrë vetë nën ndikimin e dashurisë. Fillo në shtëpi. Më pas vizito fqinjët e tu. Ndriço fshatin ose rrugën ku jeton. Përhap fjalën e Zotit kudo që dora jote mund të arrijë.
Lexues, më tako në qiell! Mos shko poshtë në ferr. Nuk ka kthim mbrapa përsëri prej asaj banese mjerimi. Pse dëshiron vallë të hysh në rrugën e vdekjes ndërkohë që porta e Qiellit është e hapur përpara teje? Mos e kundërshto faljen falas, shpëtimin e plotë që Jezusi i jep të gjithë atyre që e vendosin besimin te Ai. Mos hezito dhe mos e shty për më vonë. Mjaft më me lënien për më vonë, vepro. Beso në Jezusin tani me vendim të plotë e të menjëhershëm. Merr me vete fjalë dhe eja te Zoti yt sot, pikërisht sot. Kujto o Shpirt se mund të jetë
Tani ose kurrë
me ty. Le të jetë tani dhe jo kurrë, përndryshe do të ishte e tmerrshme. Përsëri, të përgjërohem, më tako në qiell.