Izraeli në Detin e Kuq
Predikim numër 72
Nga Charles Spurgeon
Predikatorja e Rrugës Njupark
30 mars 1856
“I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.”—Psalmi 106:9
Disa Shabatë më përpara ne predikuam mbi çlirimin e bijve të Izraelit jashtë prej Egjiptit, me anë të gjakut së Pashkës dhe ju thamë atëherë se ne e besojmë atë ngjarje si një ngjarje tipike e çlirimit të popullit të Perëndisë nga ajo shtëpi shpirtërore e skllavërisë, nga ajo furrë vuajtjesh mendore kur ata çlirohen nga hiri i plotfuqishëm i Perëndisë, në kohën e kthimit të tyre në besim. Këtë mëngjes po vazhdojmë tregimin. Pa dyshim se bijtë e Izraelit merrnin me mend se tani gjithçka kishte mbaruar; Egjiptianët i kishin larguar, duke iu përgjëruar të niseshin, dhe duke i ngarkuar me pasuri. Terrori pati goditur zemrën e Egjiptit, sepse nga mbreti në fron deri tek i burgosuri në birucë, gjithçka ishte tmerr dhe frikë për shkak të Izraelit. Egjipti ishte i gëzuar kur ata u nisën. Prandaj bijtë e Izraelit thanë në vetvete, “ne tani do të marshojmë drejt Kanaanit menjëherë; nuk do të ketë më rreziqe, jo më vështirësi, jo më sprova; vetë Egjiptianët na larguan dhe na kanë tepër frikë për të na ngacmuar përsëri. Tani shkretëtira do të shkelet tejpërtej me hapa të shpejtë; dhe kur edhe ca ditë më tepër të kenë kaluar, ne do të hyjmë në tokën e zotërimit tonë—toka nga rrjedh qumësht dhe mjaltë.” “Jo kaq shpejt,” thotë Perëndia; “akoma nuk ka ardhur koha për ju që të çlodheni. Është e vërtetë se ju kam çliruar prej Egjiptit; por ka akoma shumë që ju keni për të mësuar përpara se të përgatiteni të banoni në Kanaan. Prandaj do t’ju marr prej dore, do t’ju udhëzoj, do t’ju mësoj.” Dhe ndodhi që Zoti i mori për dore bijtë e Izraelit, mes udhës së shkretëtirës së Detit të Kuq, derisa ata arritën në Balzefon, ku në çdo anë malet e thepisura i rrethonin. Faraoni e merr vesh; vjen mbi ta për t’i mposhtur; ata qëndrojnë me një frikë të tmerrshme se mos mposhten, me një frikë të tmerrshme dhe rrezik për jetën e tyre.
Tani, të dashur, kështu është zakonisht me besimtarin: ai marshon jashtë Egjiptit shpirtërisht në kohën e kthimit të tij në besim dhe ai thotë me vete, “Tani do të jem përherë i lumtur.” Ai e ka syrin pishë dhe zemrën e lehtë, sepse zinxhirët e tij janë thërrmuar përtokë dhe nuk e ndjen më fshikullin e ndërgjegjes mbi supin e tij. “Tani, thotë ai, mund të kem një jetë të shkurtër, por do të jetë ama një jetë e lumtur.”
“Më së shumti ca lot valëzues më tepër
do të më shpien në bregun e Kanaanit të hijshëm.”
Dhe atëherë nuk do të kem më luftë, jo më luftim, jo më turbullirë, por do të jem në paqe.” “Jo siç do ti,” thotë Perëndia. “Oh! ti çilimi; kam më shumë për të të mësuar para se të jesh i përgatitur për pallatin tim.” Atëherë Ai fillon të na marrë për dore dhe të na sjellë në ngushtica dhe rreziqe. Mëkatet që ne mendonim na patën lënë po na gjahtojnë mbrapa, ndërkohë që ujëra të patundur bllokojnë udhën. Edhe Izraeli drithërues tek ndalon para Detit të Kuq nuk është veçse një emblemë e zbehtë i atij pozicioni të tmerrshëm në të cilin fëmija i Perëndisë bie zakonisht, brenda pak javësh ose muajsh pasi ka ardhur jashtë tokës së Egjiptit.
Këtë mëngjes do të bëj një predikim, që shpresoj do të jetë i dobishëm për ju që jeni shtyrë të njihni Zotin kohët e fundit. Ju po prisnit të ndërtonit tabernakuj, ku të banonit në majën e maleve të gëzimit përherë, por gjeni të kundërtën, se keni shumë telashe të mëdha dhe konflikte; dhe ndoshta tani keni një sprovë më të tmerrshme se ç’keni hasur në gjithë jetën tuaj më parë. Do të përpiqem t’ju tregoj, se kjo është pikërisht çfarë ju duhet të prisnit; se do të ketë një Det të Kuq shumë shpejt mbasi ju dilni nga shtëpia e skllavërisë. Të tjerë nga ju, miq të shtrenjtë, kanë kaluar këto gjëra shumë vite më parë.
Ju mund të thoni,—-
“Shumë ditë kanë kaluar që prej atëherë,
Kam parë shumë ndryshime,
Prapëseprapë jam përkrahur deri tani;
Kush mund të më mbajë lart përveç Teje?”
Por jam i sigurt se do të ishit të kënaqur të vizitoni përsëri vendin, nga ku Perëndia ju çliroi prej vuajtjeve tuaja. Ne na duket shumë e këndshme të vështrojmë vendin ku kemi marrë mësimet tona të para në ditët tona të hershme, ose të vizitojmë vendet e pëlqyera të fëmijërisë sonë. Po ashtu edhe ju që jeni me flokë të thinjur në kauzën e Mjeshtrit tuaj, nuk besoj se do t’ju dukej shumë e lodhshme të ktheheshit pak mbrapa dhe të shikonit Detin e Kuq që Perëndia e qortoi dhe e thau, që të mund të udhëhiqeshit si nëpër një shkretëtirë.
Duke u kthyer atëherë tek tema; bijtë e Izraelit patën vështirësitë e tyre dhe po kështu në përgjithësi fëmija e Perëndisë ka të tijat shumë shpejt mbasi del jashtë nga Egjipti. Por atëherë ata kishinvendstrehimet e tyre dhe për më tepër, Perëndia pati një qëllim të madh dhe madhështorduke iu përgjigjur në çdo vështirësi ku ata gjendeshin.
I. Në lidhje me pikën e parë, bijtë e Izraelit patën TRE VËSHTIRËSI—tre rreziqe tejet të mëdha. Dhe po kështu unë besoj se çdo trashëgimtar i qiellit, brenda një periudhe të shkurtër mbas kohës së çlirimit të tij, do të hasë të njëjtën gjë.
Vështirësinë e parë që patën ishte një sprovë e madhe e dërguar nga vetë Perëndia. Deti i Kuq ishte përballë tyre. Tani, nuk ishte armiku që e vuri detin atje; ishte vetë Perëndia. Prandaj, mund të kuptojmë nga kjo se Deti i Kuq përfaqëson një providencë të madhe dhe të vështirë, që Zoti do të sigurohet ta vendosë në shtegun e çdo fëmijë të rilindur në mënyrë që të sprovojë besimin e tij dhe të vërë në provë sinqeritetin e besimit të tij në Perëndi. Nuk e di të dashur miq nëse eksperienca juaj do të mbështesë timen, por mund të them këtë, se vështirësinë më të rëndë që kam hasur ndonjëherë, ose mendoj që mund të has ndonjëherë, ndodhi pak kohë pas kthimit tim në besim. Edhe ju duhet në përgjithësi të prisni, shumë shpejt mbasi jeni shtyrë ta njihni dhe ta doni Atë, se do të keni një Det të Kuq të madh, të gjerë, të thellë mu përpara shtegut tuaj, të cilin nuk do të dini se si ta kaloni. Ndonjëherë do të ndodhi në familje. Burri thotë, për shembull—nëse është një burrë i papërshpirtshëm—“ti nuk do të marrësh pjesë në këtë ose atë vend adhurimi; të ndaloj rreptësisht të pagëzohesh, ose të bashkohesh me atë kishë;” ka një Det të Kuq para teje. Nuk ke bërë asgjë të keqe; është vetë Perëndia që vuri Detin e Kuq përpara shtegut tënd. Ose ndoshta para asaj kohe, ti po merreshe me një biznes që tani nuk mund ta vazhdosh me një ndërgjegje të pastër; dhe ka një Det të Kuq që ti duhet ta kalosh duke hequr dorë nga mënyra jote e jetesës. Ti nuk e di si duhet bërë tani; si ke për ta mbajtur veten dhe si të sigurosh për veten me ndershmëri në sytë e gjithë njerëzve.
Ose ndoshta vendi jot i punës të thërret midis njerëzish me të cilët ti ke jetuar më përpara miqësisht dhe tani papritur, ata thonë, “Eja! a nuk do të bësh siç bëje më përpara?” Aty, përsëri, ka një Det të Kuq përpara jush. Është një përleshje e fortë; ti nuk do të biesh në sy dhe të thuash, “nuk mund, nuk do ta bëj, sepse jam i krishterë.” Ti qëndron i pazhurmë, pak a shumë i frikësuar të shkosh përpara. Ose ndoshta është diçka që vjen më drejtpërsëdrejti prej Perëndisë. Ty të duket se pikërisht atëherë kur Ai mbjell një hardhi në zemrën tënde, Ai shkatërron të gjitha hardhitë në vreshtin tënd; dhe kur të mbjell ty në vetë kopshtin e Tij, më pas Ai çrrënjos të gjithë ngushëllimet dhe gëzimet e tua. Pikërisht atëherë kur Dielli i Drejtësisë po ngrihet mbi ty, qiriri yt i vogël fiket; pikërisht atëherë kur të duhet më tepër, kungulli jot vyshket, mirëqenia jote largohet dhe batica jote bëhet zbaticë. E them përsëri, nuk mund të jetë kështu me të gjithë ju, por mendoj se shumica e popullit të Perëndisë sapo kanë shpëtuar prej skllavërisë së Egjiptit përpara se të hasin një det të dallgëzuar, të tmerrshëm, drejtpërsëdrejti në shtegun e tyre, i tërbuar ndoshta prej erërave të stuhishme; ata qëndrojnë të shtangur dhe thonë, “O Perëndi, si mund t’i bëj ballë kësaj? Mendoja se mund të braktisja gjithçka për ty, por tani ndihem i pafuqishëm! Mendoja se duhet të jem në qiell dhe gjithçka do të ishte e lehtë, por këtu ka një det që nuk mund t’i bëj dot ballë—nuk ka skuadrilje anijesh për të më transportuar tutje: madje as mëshira jote nuk ka bërë urë për mua; duhet të notoj, ose përndryshe druaj se do të vdes.”
Pastaj bijtë dhe bijat e Izraelit kishin një vështirësi të dytë. Ata nuk do të ishin shqetësuar as dhe për një çast për Detin e Kuq nëse nuk do të ishin të lemerisur prej Egjiptianëve që ishin mbrapa tyre. Këta Egjiptianë, mendoj se mund të interpretohen këtë mëngjes, me anë të një parabole, si përfaqësuesit e atyre mëkateve tona, që ne i mendonim krejt të vdekur dhe larg nesh. Për ca kohë mbas kthimit në besim mëkati nuk e turbullon të krishterin; ai është shumë i lumtur dhe i gëzuar, në një ndijim faljeje, por para se shumë ditë të kalojnë, ai do të kuptojë çfarë Pali tha, “po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjendet në mua.” Në çastin e parë kur ai fiton lirinë e tij ai qesh dhe kërcen me ngazëllim. Ai mendon, “Oh! së shpejti do të jem në qiell; për sa i përket mëkatit mund ta shkel me këmbët e mia!” Por, para se një tjetër Shabat të ngazëllojë frymën e tij, ai zbulon se mëkati është tejet i fortë për të; korruptimet e vjetra të cilat ai i imagjinonte të dergjura në varret e tyre ringjallen dhe rinisin të freskëta dhe ai fillon të thërrasë, “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” Ai shikon të gjithë mëkatet e tij të vjetra duke kalëruar mbrapa tij: si Faraoni dhe rrëmeti i tij duke e ndjekur deri në kufijtë e Detit të Kuq. Ka një sprovë të madhe përpara tij. Oh! ai mendon se mund t’i bëjë ballë kësaj; ai mendon se mund të eci përmes Detit të Kuq; oh! ata Egjiptianë—-janë mbrapa tij! Ai mendonte se nuk do t’i shihte më kurrë; ata ishin flama dhe tortura e jetës së tij kur e detyronin të punonte në tullapjekësen. Ai shikon zotërinjtë e tij të vjetër, vetë njeriun që e kishte për zakon të vinte kamxhikun mbi shpatullat e tij, duke ngarë karrocën me shpejtësi mbrapa tij; dhe aty janë sytë e atij Faraonit të zi, duke flakëruar si zjarr prej së largu; ai shikon fytyrën kërcënuese të tmerrshme të tiranit dhe dridhet! Satanai është mbrapa tij dhe të gjitha legjionet e ferrit duken sikur janë lëshuar, nëse e mundur, për të shkatërruar krejtësisht shpirtin e tij. Në një kohë të tillë, për më tepër, mëkatet tona janë më të tmerrshëm për ne se sa ishin përpara se të faleshin, sepse, kur ne ishim në Egjipt, nuk i pamë kurrë Egjiptianët të ngjitur në kuaj, ose në qerre lufte; ata dukeshin vetëm si mbikëqyrës, me thuprën e tyre, por tani këta njerëz shikojnë Egjiptianët mbi kuaj, të veshur me mburoja; ata shikojnë të gjithë luftëtarët e tyre më trima të shfaqen me instrumentet e tyre luftarake për t’i vrarë. Kështu m’u duk, duke folur për veten time, se kur njoha në fillim peshën e mëkatit, ishte si një peshë, si një punë e rëndë, si një turbullirë, por kur herën e dytë
“i kërkova Zotit që të mund të rritem,
në besim, dashuri dhe në çdo hir;
të mund të njihja më tepër për shpëtimin e Tij,
dhe të kërkoja fytyrën e Tij më me zell;”
dhe kur Ai m’u përgjigj duke lënë të gjithë mëkatet e mia të lëshohen mbi mua ata m’u dukën më të frikshëm se më parë. Mendova se Egjiptianët në Egjipt nuk ishin sa gjysma të këqij sa Egjiptianët jashtë Egjiptit; mendova se mëkatet që njihja më përpara, edhe pse ishin mbikëqyrës të pashpirt, nuk ishin sa gjysma për t’u pasur frikë sa ata ushtarë-mëkate, të armatosur me shigjeta dhe sëpata, me qerre hekuri me kosa mbi boshtet e rrotave të tyre, duke nxituar për të më sulmuar. Është e vërtetë se nuk erdhën aq afër meje sa deri këtu; megjithatë ata më shkaktuan më tepër frikë se sa kur isha skllavi i tyre. Mund të jetë, i gjori fëmijë i Zotit, se ti je i habitur dhe i mrekulluar të zbulosh se mëkatet e tua janë më të zeza tani se sa ishin kur ti ishe nën bindjen e mëkatit; se ke më pak shpresë se sa kishe edhe atëherë; dhe se gjendja jote është ndoshta shumë më e keqe se sa ishte kur ligji të rrihte nga koka në këmbë, dhe të fërkonte me ujë të kripur plagët e ndërgjegjes tënde. Ti mund të jesh duke thënë, “Ah! mirë po nuk e kisha menduar kurrë këtë; nëse jam një fëmijë i Zotit, nëse do të isha me të vërtetë i shfajësuar dhe i falur, si mund të ndodhë që të mund të jem kaq i munduar dhe i torturuar me një ndijim të fajit tim? Dhe nëse të gjitha shkeljet e mia janë hedhur në thellësitë e detit, si ndodh vallë që dëgjoj ushtritë e mëkateve të mia, me kërcëllitjet e thundrave të kalit dhe rrotave të qerreve prapa meje?” Po të them, i dashur, në emrin e Zotit, se kjo është pikërisht çfarë duhet të prisje. Sëmbimet pasi dalim jashtë Egjiptit janë ndonjëherë edhe më të dhimbshme se ata që ndjejmë në shtëpinë e skllavërisë; dhe ka zakonisht një kohë sprove pak kohë mbas rilindjes, që është madje më e tmerrshme dhe e kobshme se agonia e mëparshme e shpirtit, edhe pse zakonisht nuk zgjat shumë. Kjo ishte vështirësia e dytë.
Por kishte një vështirësi të tretë, që ndoshta i shkaktoi më tepër mjerim se secila prej dy të tjerave:këta bij të gjorë të Izraelit kishin kaq zemra të dobëta. Sa panë Egjiptianët ata filluan të thërrasin; dhe kur panë Detin e Kuq përpara, murmuritën kundër çlirimtarit të tyre. Një zemër e dobët është armiku më i keq që një i krishterë mund të ketë; ndërkohë që ai e mban besimin e tij të fortë, ndërkohë që spiranca është e ngulitur thellë në shkëmb, ai nuk ka pse të druajë stuhinë, por kur dora e besimit është e paralizuar, ose syri i besimit është i dobët, do të jetë e vështirë për ne. Përsa i përket Egjiptianit ai mund të hedhë shtizën e tij; ndërsa e presim atë me mburojën e besimit, nuk jemi të tmerruar prej armës, por nëse humbim besimin, shigjeta kthehet në një thumb vdekjeprurës. Ndërsa kemi besim, Deti i Kuq mund të rrjedhë përpara nesh, po aq i thellë dhe i errët sa t’i pëlqejë, sepse ashtu si Leviathani, ne besojmë se mund të thithim Jordanin me një gllënjkë. Por nëse nuk kemi besim, atëherë prej rrjedhës së ujit më të vogël, që Besimi mund ta marrë në duart e tij në një çast të vetëm dhe ta pijë si burrat e Gideonit, i gjori Mosbesim qëndron duke u dridhur dhe duke thirrur, “ah! do të mbytem në ujërat, ose do të vritem prej armikut; nuk ka shpresë për mua; jam i dëshpëruar. Do të kishte qenë më mirë për mua të kisha vdekur në Egjipt, se sa të vija këtu për t’u vrarë prej dorës së armikut.” Fëmija i Zotit, kur sapo është lindur përsëri, nuk ka veçse besim të pakët, sepse ai ka patur veçse pak eksperiencë; ai nuk i ka provuar premtimet dhe prandaj nuk e njeh besnikërinë e tyre. Ai nuk ka përdorur krahun e besimit dhe prandaj dellet e tij nuk janë bërë akoma të fortë. Le të jetojë pak më gjatë dhe të bëhet i përforcuar në besim dhe nuk do të pyesë për Detra të Kuq, as prej Egjiptianëve, por pikërisht atëherë zemra e tij e vogël rreh kundër mureve të trupit të tij dhe ai ankohet, “Ah, unë! ah, unë! O sa i shkretë që jam! Si do ta gjej vallë çlirimin?” Ky përshkrim i gjeografisë shpirtërore mund të mos i interesojë disave, sepse ata mund të mos kenë udhëtuar përmes kësaj pjese të shkretëtirës, por të tjerë do ta shikojnë atë me kujdes. Kush pyeste për hartat e Krimesë derisa atje filloi lufta? Por po aq shpejt sa ushtarët tanë u vunë në veprim në atë vend të veçantë, çdo njeri bleu një hartë të Krimesë dhe studioi kufijtë e Rusisë. Kështu nëse keni qenë në këto vështirësi, ju do të jeni shumë të kënaqur për hartën time këtë mëngjes, që të mund të shikoni udhën sipas së cilës Perëndia udhëheq familjen e tij. Këto janë pra të tre rreziqet—një sprovë e madhe, mëkatet duke na ndjekur mbrapa dhe një zemër tejet e dobët.
II/ Por, faleminderit Perëndisë! fëmijët e Izraelit patën TRE NDIHMA.
Oh! fëmijë i Perëndisë? A e dallon këtë mister? Sa herë që ke tre sprova, ti do të kesh përherë tre premtime; dhe nëse do të kishe dyzet mundime, do të kishe dyzet masa hiri. Po, dhe nëse do të kishe një milion telashe, do të kishe një milion masa mëshire. Izraelitët patën tre vështirësi dhe ata patën tre ndihma; dhe ashtu si vështirësia ishte vendosur në udhën e tyre me anë të providencës, po ashtu providenca solli ngushëllim.
Ndihma e parë që ata patën ishte Providenca. Providenca vuri Detin e Kuq atje dhe grumbulloi shkëmbinjtë në çdo anë, ndërsa providenca e përfaqësuar prej shtyllës prej reje të zjarrtë, i pati udhëhequr në breg dhe i priu në grykë malesh dhe tani e njëjta shtyllë providence u erdhi në ndihmë. Ata nuk erdhën deri aty të pa drejtuar dhe prandaj ata nuk duhet të liheshin të pambrojtur, sepse e njëjta shtyllë prej reje që i udhëhoqi atje, erdhi mbrapa tyre për t’i mbrojtur.
Gëzohu pra trashëgimtar i hirit! Çfarë është sprova jote? A është providenca që ta solli? Nëse ashtu, urtësia e pagabueshme do të të çlirojë prej saj. Çfarë është ajo që të mundon tani? Po aq e vërtetë sa ti jeton, Perëndia do ta fshijë atë. A mendon së shtylla prej resh e Perëndisë do të të udhëhiqte në një vend ku krahu i djathtë i Perëndisë do të të linte në baltë? A ta merr mendja se Ai do të drejtonte në një grykë të tillë që të mos të nxirrte jashtë përsëri? Providenca që në pamje të parë çon në rrugë të gabuar, do të vijë në ndihmë. Ajo që të shpie në vështirësitë të ruan prej armiqve të tu; hedh errësirë mbi mëkatet e tua, ndërkohë që ty të jep dritë. Sa e ëmbël është providenca për një fëmijë të Perëndisë, kur ai mendon mbi të! Ai mund t’i hedhë një shikim kësaj bote dhe të thotë, “Sado të mëdha mundimet e mia, ato nuk janë aq të mëdha sa fuqia e Atit tim; sado të vështira të jenë rrethanat, prapëseprapë të gjitha gjërat rreth meje po punojnë bashkë për të mirën. Ai që mban lart atje të pambështetur qemerin e qiejve me yje mund gjithashtu të mbajë shpirtin tim pa ndonjë mbështetëse të dukshme; Ai që drejton yjet në orbitat e rregullta, edhe kur ato duken se lëvizin në vallëzime si në mjegull, me siguri që mund t’i heqë vështirësitë e mia në mënyrë të tillë që prej rrëmujës do të sjellë rregullin; dhe prej të keqes në dukje do të prodhojë të mirë të qëndrueshme. Ai që i vë frerin stuhisë dhe i vë gojëzën gojës së tufanit, me siguri Ai mund ta përmbajë mundimin tim dhe t’i mbajë hidhërimet e mia të nënshtruara. Nuk kam pse të kem frikë kur vetëtimat janë në duart e Tij dhe bubullimat dremisin brenda buzëve të Tij; ndërkohë që oqeanet gurgullojnë prej grushtit të Tij dhe retë janë në pëllëmbën e duarve të Tij; ndërsa lumenjtë ndryshojnë drejtim prej këmbës së Tij dhe ndërsa Ai gërmon kanalet e detit. Me siguri Ai fuqia e të cilit i jep krahë një engjëlli, mund të pajisë një krimb me forcë; Ai që drejton kerubinët nuk do të mposhtet prej vështirësive të një milingone si unë. Ai që bën yllin më të madh të rrotullohet me përpikmëri sipas orbitës së vet duke ruajtur orbitën e tij të paracaktuar, mund të bëjë një atom të vogël si unë të lëvizë në vetë orbitën e tij dhe të më udhëheqë si të dojë. I krishterë! nuk ka jastëk më të ëmbël se sa providenca dhe kur providenca duket kundërshtare, besoje akoma, vëre nën kokën tënde, sepse ka ngushëllim në kraharorin e saj. Ka shpresë për ty o fëmijë i Perëndisë! Turbullira e madhe që ka për të ardhur në udhën tënde në kohën e hershme të pelegrinazhit, është e planifikuar prej dashurisë, e njëjta dashuri që do të ndërmjetësojë si mbrojtësi jot.
Po ashtu fëmijët e Izraelit kishin një tjetër vendstrehim, në faktin, se ata e dinin se ishin populli i besëlidhjes së Perëndisë dhe se, edhe pse ishin në vështirësi, Perëndia i kishte sjellë aty, dhe prandaj Perëndia, (me përnderim me lejoni ta them këtë) ishte i lidhur në nderin e Tij për t’i nxjerrë jashtë telashit ku Ai i kishte sjellë. “Mirë,” thotë fëmija i Perëndisë, “e di se jam në një ngushticë, por di dhe këtë gjënë tjetër, se nuk dola jashtë Egjiptit vetë—e di se Ai më nxori jashtë. E di se nuk shpëtova me vetë fuqinë time, ose se nuk i vrava vetë mëkatet e mia të parëlindur—e di se Ai e bëri këtë. Dhe edhe pse renda larg prej tiranit—e di se Ai i bëri këmbët e mia të fuqishme për të udhëtuar, sepse nuk kishte as dhe një të dobët në të gjitha fiset tona.
“E di se edhe pse jam në Detin e Kuq, nuk vrapova atje i pa thirrur, por Ai më urdhëroi të shkoj atje dhe prandaj largoj tutje frikërat e mia. Sepse nëse Ai më ka udhëhequr në këtë vështirësi, Ai do të më udhëheqë jashtë saj dhe përtej saj. Por pika ku unë dua të drejtoj vëmendjen tuaj më tepër së të gjitha është kjo. Vendstrehimi i tretë që fëmijët e Izraelit patën, ishte në një njeri—-dhe asnjë nga dy të tjerët, pa këtë, nuk do të kishte pasur vlerë. Ishte Moisiu. Ai bëri gjithçka për ta. Vendstrehimi juaj më i madh, o bij të Perëndisë, në të gjitha sprovat tuaja, është në një Njeri—jo në Moisiun—por në Jezu Krishtin. Jo në shërbëtorin, por në Mjeshtrin. Ai po ndërmjetëson për ju, i pa u parë dhe pa u dëgjuar prej jush, po ashtu si Moisiu bëri për bijtë e Izraelit. Nëse të mundeshit veçse, ashtu prej së largu, të kapnit rrokjet e ëmbla të zërit të Tij tek distilohen prej buzëve të Tij dhe të shikonit zemrën e Tij tek ju flet, atëherë do të merrnit ngushëllim.
Perëndia e dëgjon atë Njeri kur Ai del si avokat mbrojtës. Ai mund të mposhtë çdo vështirësi. Ai nuk ka një bastun, por një Kryq, që mund të ndajë Detin e Kuq. Ai nuk ka vetëm një shtyllë prej reje të hirit falës, që mund të errësojë syrin e armiqve të tu dhe t’i mbajë ata larg—Ai ka një Kryq—-që mund të hapë Detin e Kuq dhe të mbysë mëkatet e tua mu në mes të tij. Ai nuk do të të braktisë. Vështro atje Shkëmbin e Parajsës—-Ai qëndron, Kryqin në dorë, po ashtu si Moisiu me bastunin e tij.
Drejtoju Atij me lot, sepse me atë Kryq të ngritur lart Ai do të çajë një shteg për ty dhe do të të udhëheqë përmes detit. Ai do t’i bëjë ato ujëra të vjetra, që patën qenë miq përherë, të qëndrojnë veç e veç si armiq. Drejtoju Atij me lot dhe Ai do të të hapë një udhë në mes të detit dhe një shteg në mes të detit të pashteg. Drejtoju Atij me lot dhe nuk do të ketë më as dhe një mëkat i yti i mbetur gjallë. Ai do t’i fshijë të gjithë. Dhe mbreti i mëkatit, djalli, gjithashtu, do të pllakoset poshtë gjakut të Shpëtimtarit, ndërsa ti këndon—-
“Ferri dhe mëkatet e mia udhën time pengojnë,
por ferri dhe mëkati janë armiq të mposhtur.
Jezusi im i kryqëzoi në Kryqin e Tij;
Dhe këndoi triumfues tek ngjitej lart.”
Shikoni te ai Njeri që njëherë vdiq mbi Kalvar.
III-PERËNDIA PATI NJË QËLLIM NË TË. Dhe këtu, gjithashtu, do të donim që të merrnit parasysh me kujdes cili është qëllimi i Perëndisë tek udhëheq të krishterin në mundime tepër të mëdha në pjesën e hershme të jetës së tij. Kjo na shpjegohet nga Apostulli Pal. Vargu biblik është komentuesi më i mirë në botë. Dhe komenti më qiellor është kërkimi i teksteve të afërt dhe krahasimi i domethënies së tyre.
“Të gjithë u pagëzuan,” thotë Apostulli, “për Moisinë, në re dhe në det.” Qëllimi i Perëndisë duke sjellë një telash për popullin e Tij dhe duke bërë që ata të përndiqeshin nga mëkatet e tyre, është t’i japë një Pagëzim të plotë në shërbimin e Tij, duke i kushtuar ata përherë për vete. Me Pagëzim këtë mëngjes nuk e kam fjalën për ritin, por atë që Pagëzimi përfaqëson. Pagëzimi do të thotë përkushtim Perëndisë—fillim në shërbimin e Perëndisë. Nuk është atëherë kur ne për herë të parë kthehemi në besim që ia përkushtojmë veten aq tërësisht Perëndisë, sa më pas, kur ndonjë Det i Kuq i madh zhurmëron përpara nesh.
Do të kënaqesha sikur të shikoja ndonjë nga ju të ketë këto telashe. A jam i pashpirt tek shpreh një dëshirë të tillë? Mirë pra, po e përsëris, do të kënaqesha. Sepse nuk do t’ju sillja kurrë në Kishë po të mos vinit vetë. Ju nuk do të paraqiteshit kurrë dhe nuk do t’i përkushtoheshit plotësisht Perëndisë nëse nuk do të kishit kaluar një sprovë të ashpër. Mos kini dyshim për faktin se sprovat e ashpra nuk ishin shkak i vogël i kushtimit heroik të martirëve, rrëfimtarëve dhe misionarëve, të cilët kaq plotësisht ia kushtuan veten shërbimit të Mjeshtrit të tyre. Qëllimi i madh i të gjitha trishtimeve tona është nxitja e një përkushtimi të plotë ndaj Krishtit me gjithë zemrën tonë.
Është veçse në burimin e hidhërimit ku ne pagëzohemi me Pagëzimin e Krishtit. Asnjë krezm e shenjtë nuk ka efektshmëri për të pagëzuar. Është vetëm Fryma Ai që mund të na përkushtojë në ujërat e detit të mundimit. Ti gjendesh në këto ngushtica, Besimtar i ri, që të mund në atë kohë të marrësh Pagëzimin e Perëndisë. Mos lejo, të përgjërohem, që të mos ta anashkalosh këtë kohë, sepse ka disa që nuk i kushtojnë rëndësi dhe që më pas kurrë nuk e dinë se çfarë është “të pagëzohesh në Jezusin në re dhe në det.”
Ata thonë, “do të presin edhe pak,” por rrjedhoja është se ato presin tepër gjatë. Ata thonë se do ta bëjnë nesër atë që duhet ta bënin sot. Kini kujdes që të mos e lini t’ju ikë mundësia që Perëndia ju paraqet për t’ia përkushtuar veten Atij në mënyrë publike. Menjëherë mbas kthimit në besim, kur ne hyjmë në ngushtica dhe vështirësi, këto kanë për synim që ne t’i përkushtohemi Jezusit dhe të shfaqemi hapur si bijtë e Perëndisë së gjallë.
Tani, të dashur, le të qëndrojnë këto mendime me ju. Ju mund t’i mendoni të parëndësishme, por jam i sigurt se nuk janë të tilla. Më besoni, ju duhet me të vërtetë që të rreshtoheni në krahun e Zotit. Nëse Perëndia është Perëndi, i shërbeni Atij. Nëse Baali është Perëndi, i shërbeni atij. Nuk ka asgjë që do t’ju ngulisja më me zell dhe më me zell se sa detyra e madhe e vendimit për Jezu Krishtin.
Sa shumë nga ju kanë një shpresë të fikët dhe të vagëlluar se kur të vdisni ju do të jeni populli i Zotit? Dhe ndërkohë ju duhet të rrëfeni se nuk jeni të vendosur për Krishtin. Ju mendoni se i përkisni Atij, por ju shpesh nuk i kushtoni rëndësi detyrës dhe shpesh lejoni çfarë e konsideroni si një mëkat i vogël t’ju njollosë ndërgjegjen. Ju nuk e kryeni me perëndishmëri punën tuaj. Por, ju përgjërohem, vendosni të vërtetën e Perëndisë dhe drejtësinë në një pjatë të peshores dhe vendosni vetë fitimin tuaj të kësaj bote në tjetrën—-dhe shikoni cila peshon më shumë—dhe nëse mendoni se maturia dikton vëmendje për këtë botë në vend të Perëndisë, atëherë kujto se është maturi e ferrit dhe vjen prej djallit. Dhe prandaj, hidhe poshtë atë. Nëse do të ishit egjiptian, mund t’ju thosha që t’i shërbenit një tjetër padroni. Mirëpo përderisa ju jeni populli i Perëndisë, ose pretendoni të jeni, shkoni deri në fund dhe ju lutem, nëse bëni një pretendim, jini plotësisht sipas pretendimit tuaj. Sa neveri i kemi ata njerëz të nxehtë dhe të ftohtë që nuk janë as kjo gjë as ajo gjë! Ti, që luan ujkun dhinë dhe lakrën—ti, që je gjysmë kalë dhe gjysmë aligator dhe asnjeri prej atyre—ti që je diçka mes të dyve, që nuk je as i krishterë as i botës në opinionet e tua. Ne e dimë se cili je. Shpesh kam menduar çfarë feje e pajtueshme feja romane katolike do të ishte për ca nga ju njerëz me dy mendje. Ju nuk jeni me të vërtetë bij të Perëndisë, por ju nuk do të pëlqenit të thirreshit fëmijët e djallit. Ku duhet t’ju vendosim së fundmi? Do të ishte një gjë shumë e volitshme për ju të kishit një purgator—-për t’ju vendosur diku midis të dyve.
Por përderisa nuk kemi vende të tilla, ne nuk dëshirojmë të kemi karaktere të tillë dhe besojmë se nuk ka të tillë. Ju jeni ose shërbëtorët e Perëndisë ose shërbëtorët e djallit. Mos qëndro mes dy anëve—por vetëm thuaj, një herë dhe përgjithmonë—kujt do t’i shërbesh. Nëse zgjedh djallin, zgjidhe, duaje, shërbeji dhe gëzohu në zgjedhjen tënde. Nëse zgjedh ferrin, shko atje, turru si i çmendur atje—është një vend banimi i frikshëm përjetë—-një shtëpi e kobshme përherë! Por nëse zgjedh Perëndinë, të përgjërohem të jesh me zell të plotë për Të. Feja e ditës së tashme—çfarë tallje është ta quash atë fe—protestoj. Besoj se kjo lloj feje nuk do të çojë në Parajsë as dhe gjysmën e atyre që pretendojnë se e zotërojnë. Është një fe që ata mund ta çojnë lehtë në Parajsë, sepse është ngarkesë shumë e lehtë për ta, por është shumë e brishtë për t’i çuar atje. Ata kanë një perëndishmëri që nuk ka përpirë shpirtin e tyre. Dëgjova një herë një pastor t’i thotë njerëzve të tij se “do të nevojitej një kohë e gjatë para se zelli i shtëpisë së Perëndisë t’i përpinte.”
Shiko Kishat rreth e qark—-çfarë vëllazërie dremitësish që janë! Ndoshta pothuajse mund të ketë një diskutim midis princit të kësaj bote dhe princit të Qiellit se kujt i përkasin. Por ju përgjërohem, le të ketë një dallim të spikatur dhe të vendosur midis jush dhe botës. Le të ngihen zemrat tuaja me perëndishmëri. Le të ngopet jeta juaj me besim. Tregoni kujdes që, “nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t`i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Kështu që qëllimi i madh i Perëndisë për pagëzimin tuaj në Jezusin, “në re dhe në det” do të përparojë.
Në mbyllje, ka një anë të trishtë të këtij portreti që unë dëshiroj që ju t’i kushtoni vëmendje. Disa nga ju po udhëtojnë në një gjendje të pashpëtuar drejt atij lumi nga ku nuk ka kthim. Në vdekje ju do të zbuloni një Det të Kuq në udhën tuaj—detin e vdekjes duke ju vështruar ngultas në fytyrë. Kur ju do të vini përpara tij, nuk do të gjeni as ura as anije. Ju duhet të kaloni përmes atij deti vetëm fare. Dhe vini re, nëse po jetoni tani në një gjendje të papërshpirtshme dhe po vazhdoni kështu ndërsa po vdisni—-po aq e sigurt sa jeni këtu—pikërisht kur ai det i madh i vdekjes po zhurmëron përpara jush, i gjithë rrëmeti egjiptian i mëkateve të tua do t’ju sulmojë pareshtur nga mbrapa.
Të gjithë mëkatet tuaja do të vijnë të ulërinë pas teje. Ju do t’i keni padrejtësitë tuaja si ujqërit e dimrit të egër tek ju ndjekin këmba këmbës, të etur për gjak dhe të shkathët për të vrarë. Ju do të dëgjoni djajtë të ulërijnë në veshët tuaj. Dhe kur tashmë përmbytja e Jordanit ka bërë kockat tuaja të dridhen dhe palcën tuaj të luhatet, pikërisht atëherë ju do të shikoni syrin e kuq të mëkateve tuaja duke vështruar ngultas përmes errësirës së dëshpërimit tuaj dhe do të dëgjoni angullimat e shkeljeve tuaja të mëparshme tek ju ndjekur nga mbrapa si pre deri tek gropa, duke kërkuar gjakun e shpirtit tuaj.
Ah atëherë, dëgjuesi im, ti nuk do të kesh shtyllë reje të të japë dritë. Nuk do të kesh shtyllë errësire të hutojë armiqtë e tu. Por do të kesh mbrapa teje të gjitha mëkatet e tua dhe përpara teje atë det të zi të vdekjes, që je i shtrënguar ta kalosh. Mirëpo vë re, ato mëkate do të notojnë përmes atij deti bashkë me ty. Ata nuk do të jenë si Egjiptianët që u mbytën. Ndërsa kalon detin, mëkatet e tua do të të duken si lëngoj që mbërthejnë një dre, duke pirë gjakun e zemrës tënde. Po, kur të zbarkosh në përjetësi, do të zbulosh se nuk kishte as dhe një të vetëm i mbytur në det, por se të gjithë janë të gjallë—çdo mëkat bëhet një gjigant, çdo epsh vringëllon mijëra armë, çdo armë mban mijëra gishta të nxehtë flakë—dhe çdo gisht një kthetër hekuri, që do të shqyejë shpirtin tënd.
Oh, ju paralajmëroj kundrejt këtyre Egjiptianëve të mëkateve tuaja, sepse nëse gjaku nuk është spërkatur në shtalkat dhe arkitraun tuaj dhe nëse engjëlli shkatërrimtar nuk godet ata mëkate për ju, ata me siguri do t’ju ndjekin përtej detit. Më duket se ju shikoj atje! Ju jeni pikërisht mu në mes të Jordanit. Shpirt i varfër! Vetë lumi nuk është punë e lehtë për ta kaluar, sepse të vdesësh nuk është punë e lehtë. Ujërat po vërshojnë në buzët e tij dhe po gurgullojnë në grykën e tij si një vorbull. Shiko se si tundet! I zbehtë si ujërat përreth tij ai fërgëllon po ashtu si vetë dallgët.
Dhe ah, pikërisht atëherë në dëshpërimin e tij të tmerrshëm, ai ulërin—pa shih, djajtë që e ushqejnë me ushqimin e zi të ferrit? Dhe kur ai rrëqethet me tepër, pa shih, sulfurin e zjarrtë të Perëndisë të Plotfuqishëm duke rënë si shi mbi trupin e tij? Pikërisht kur ai po ulërin në stërmundimet e vdekjes, atëherë është satanai që e zë mundësinë për të angullirë në fytyrën e tij dhe për të treguar syrin e tij të zjarrtë të tërbuar, për të terrorizuar shpirtin e tij të shkretë më keq së sa vetë vdekja. Mëkatar! Kur të vdesësh kujto se ke për të vdekur dy vdekje—një vdekje që ne do ta shohim—një tjetër vdekje që e njohim veçse prej ulërimave, psherëtimave dhe angullimave, të cilat madje edhe mund t’i dëgjojmë nga kjo anë e varrit.
Por çfarë do të përjetoni në botën tjetër, nuk mund t’jua përshkruaj dot, nuk mund t’jua them dot. Ato forma të zbehta tmerri nuk mund t’jua përshkruaj dot. Ato flakë të egra mjerimi nuk mund t’jua përshkruaj dot tani. Atë mjerim të trishtueshëm dëshpërimi dhe atë elegji të kobshme përjetësie, nuk mund ta duroj dot ta dëgjoj. Nuk guxoj të ngrij vellon që fsheh skenat e tmerrshme, që mundon frymët e të papërshpirtshme që nuk janë më.
Mirë pra, atëherë, çfarë do të bëni për t’i shpëtuar kësaj vdekje? Çfarë nuk duhet të bëni për t’u shpëtuar? Pa shih, Mëkatar, në radhë të parë, ti vetë nuk mund të bësh asgjë. Por, në radhë të dytë, ka një—një Njeri, që mund të bëj gjithçka për ty. Ai është Njeriu Jezu Krishti. Nëse beson në Të, ashtu i fëlliqur dhe ditëzi dhe i përbuzur dhe i poshtër, ti nuk do të shikosh kurrë vdekjen e dytë, por do të kesh jetën e përjetshme duke qëndruar te ty. Dhe kur të vdesësh në këtë botë, në vend të djajve të zinj duke të gjahtuar përtej lumit, ti do të kesh engjëj të ëmbël duke luajtur muzikë, duke të pritur për të të ngritur me fluturim në lavdi. Ti do të ndjesh një frymë rrezellitëse duke freskuar ballin tënd të nxehtë me krahët e tyre të butë. Ti do të dëgjosh këngë të ëmbla si muzika e Parajsës dhe kur telashet e tua janë nga më të mëdhatë ti do të kesh paqe me Perëndinë “që ia tejkalon çdo zgjuarsie.” Një “hare e patregueshme dhe e lavdishme,” që do të të mundësojë të “gëlltitësh vdekjen në fitore.” “Ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet dhe ai që nuk beson do të dënohet.” Mëkatar i gjorë, drithërues, i penduar, vëre dorën tënde në dorën e Krishtit.
Tani bjer nën Mëshirën e Tij. “Sot, nëse e dëgjoni zërin e Tij, mos e ngurtësoni zemrën.” Ju përgjërohem për hir të Krishtit, “paqtohuni me Perëndinë.” Dhe nëse jeni penduar, Perëndia ju dhëntë besim që të jeni Besimtarë! Për sa i përket pjesës tjetër, kujtoni, përpara së të shkoni, nuk ju kam thënë një përrallë, por të vërtetën. Ju mund të largoheni dhe të thoni, “Nuk ka ferr.” Mirë pra, ta marrim me mend sikur nuk ka, Besimtarët do të jenë po aq mirë sa ju. Por ta marrim me mend sikur ka—dhe ka me siguri— përfytyroni veten në të. Atëherë nuk do të mund ta përfytyronit veten më jashtë tij. Perëndia ju dhëntë bekimin e Tij, për hir të Jezusit, duke kthyer shumë nga ju në drejtësi. Amen.