Lutja e nxënësit
Predikatorja e Tabernakullit Metropolitan
Numër 1344
Nga C.H.Spurgeon
“Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve (urdhërimeve) të tua, dhe unë do të flas për veprat e tua të mrekullueshme (do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua) ” Psalmi 119 :27
Kur ne kërkojmë ndonjë gjë të mirë prej Perëndisë, duhet gjithashtu që të marrim në konsideratë si mund ta përdorim atë për lavdinë e Tij. Është e drejtë se dëshirat për gjëra të mira duhet të rrjedhin prej motivesh të mira. Kur zemra nuk është veçse e hirshme, por edhe mirënjohëse, do t’i drejtohet Perëndisë me qëllim të dyfishtë, duke dëshiruar mëshirën dhe duke dëshiruar ta përdorë atë për lavdërimin e Tij. Hiri i Perëndisë, që sjell shpëtimin, mrekullisht hap oreksin për gjëra të mira—bën më shumë, nxit një merak të fortë për të lavdëruar emrin e Perëndisë mes botës—madje edhe përpara se t’i ketë tejçuar aftësinë që të bëjë ndonjë gjë të mirë. Pasioni i zjarrtë dhe pafuqia e mjerë duke u bashkuar bashkë dhe duke luftuar në kraharor, shpesh shpien në zemërlëshim, por ata duhet më mirë që të nxisin lutjen.
Po aq shpejt sa jemi të shpëtuar prej Hirit ne jemi të uritur për furnizime për nevojat e shpirtit tonë. “Posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij.” Ky është hapi i parë i fëmijërisë shpirtërore, po ashtu si i sapolinduri që bërtet për shishen me qumësht dhe ngopet dhe gëzohet me të, e gjitha e tija dhe e gjitha për të. Më pas vjen një dëshirë tjetër e zjarrtë, një dëshirë për shoqërim me shenjtorët, edhe pse ndjehemi shumë të dobët dhe shumë të paditur për të hyrë në një shoqëri të tillë kaq të mirë siç na duken dishepujt më të vjetër, ose madje edhe t’i flasim atyre. Por do t’ju them se çfarë mund të bëjmë. Ne të gjithë mund të guxojmë t’i kërkojmë Zotit të na mësojë dhe të na bëjë të kuptojmë udhën e urdhërimeve të Tij, kështu që bisedimi ynë të mirëpritet prej popullit të Tij—dhe Ai do ta bëjë këtë gjë! ” Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.” Ky është hapi i dytë i zhvillimit shpirtëror.
Më pas vjen një shkallë e tretë dhe ajo vjen, dhe me siguri që do të vijë, nëse ju vazhdoni të njihni Zotin. “Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt Teje.” Flisni, Motra dhe Vëllezër të mi, në këtë mënyrë—”Më ke thënë o Perëndia im të lakmoj me këmbëngulje dhuntitë më të mira. I lakmoj me të vërtetë o Zot, Ti e di, jo që t’i konsumoj ato për epshet e mia, por t’i përdor për shërbimin Tënd. Me hare do të pranoj talentet e Tua si përgjegjësi, jo për t’i marrë lehtë ato, jo për t’u mburrur me to si lodrat e kotësisë sime, por, me anë të Hirit Tënd, si një administrues besnik dhe i urtë për të të sjellë të gjithë përfitimin dhe interesin, sepse jam i etur për të nxjerrë fitim prej të gjithë atyre dhurimeve që Ti i mirëbesove kujdesit tim. “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të tua, dhe unë do të flas për veprat e tua të mrekullueshme.”
Do të doja që të vinit re më pas, në pragun e përsiatjes sonë, se nuk ka me të vërtetë ndonjë detyrë të rëndë për të cilën një njeri është i grishur të kryejë, as ndonjë post me përgjegjësi ku ai zgjidhet për ta përmbushur, po ashtu madje as ndonjë plan ose qëllim që ka në zemrën e tij për ta përmbushur, që nuk kërkon përgatitje të zellshme prej tij për ta përgatitur veten, për të stërvitur aftësitë e tij dhe për të disiplinuar mendjen e tij. Atë që ju quani një punë të pakualifikuar mund të kryhet prej punëtorëve efikas, por puna e kryer në mënyrë të paaftë është thjesht një shkapërderdhje fuqie. Kështu pra aq me tepër me e domosdoshme kërkesa që të pajisemi me aftësitë e duhura dhe të kualifikuar me udhëzime të përshtatshme nëse kemi ndonjë punë për të bërë për Perëndinë, ose ndonjë detyrë, sado e përulur, në shërbimin e Mbretit të madh!
Zelli pa njohuri do të na zbulonte një mendjemadhësi të pamend. Kur jemi të thirrur të flasim për veprat e mrekullueshme të Perëndisë ne nuk duhet të vrapojmë për këtë ushtrim të paaftë dhe të papërgatitur, por duhet të presim prej Zotit, që sytë e kuptimit tonë të mund të ndriçohen, që gjuhët tona belbëzuese të mund të lirohen dhe që buzët tona të mund të akordohen për të thënë tregimin fisnik në melodi mirënjohëse. Ne duhet së pari të fitojmë për vetveten një kuptim të udhës së parimeve të Zotit përpara se t’ia shpjegojmë të tjerëve. Ai që përpiqet të mësojë, por që nuk ka qenë kurrë i mësuar do ta bëjë punën lëmsh e li. Ai që nuk ka kuptim dhe prapëseprapë do që t’i bëjë të tjerët të kuptojnë, patjetër që do të dështojë! Ka disa që nuk mund të mësojnë dhe nuk duan të mësohen—dhe është për shkak se ata nuk duan të mësohen që nuk mund të mësojnë.
Besoj se aftësia për të qenë i mësuar qëndron në themelin e aftësisë për të mësuar. Psalmisti i kishte të dyja. Ai thotë, “Më bëj që të kuptoj rrugën e statuteve të tua.” Këtu pra ai do që të mësohet “dhe”, thotë ai, “do të flas për veprat e tua të mrekullueshme.” Këtu ai do që të mësojë. Duke peshuar tekstin, më është dukur se ai nxjerr në pah tre gjëra. Së pari, lutjen e një nxënësi. Së dyti, punëzënien e një shkollari. Dhe së treti, marrëdhënien e ngushtë që ka midis këtyre.
I. Shikoj në të një LUTJE NXËNËSI. Shpresoj motra dhe vëllezër në Krisht, se jemi të gjithë nxënës në shkollën e Krishtit—të gjithë dishepuj dhe shkollarë—dhe kam besimin se do ta përvetësojmë lutjen e nxënësit si tonën—”Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.” Ju e dini se lutja është çfarë zjarri është për flijimin. Ju përgjërohem, bashkohuni me gjithë zemër në kërkesën e tekstit.
Lutja e nxënësit ka të bëjë me temën kryesore që duhet të mbushë kohën e nxënësit, domethënë, udha e parimeve të Perëndisë. Ju dhe unë, Vëllezër, kemi për të mësuar ato gjëra që kanë lidhje me këshillat dhe urdhëresat e Zotit. Nuk është fusha jonë të udhëheqim njerëzit në politikë ose t’i udhëzojmë në shkencë. Këto gjëra janë të mësuara më mirë prej njerëzish me emër, koha dhe vëmendja e të cilëve është e kredhur në këto kërkime të vështira dhe të thella. Sa për ne që jemi të krishterë dhe shërbëtorë të Krishtit, puna jonë është t’u mësojmë njerëzve gjërat e Perëndisë. Do të bënim mirë të ruajmë këtë temë, për vetë të mirën tonë dhe për të mirën e të tjerëve. Nëse kemi shumë studime për të na marrë kohën, mendimet tona shumë shpejt do të shpërndahen—dhe nëse shumëzojmë punët do të jemi të paaftë për të përqendruar të gjitha energjitë tona mbi temën e madhe që Urtësia Hyjnore ka zgjedhur për ne—”rrugën e parimeve të Tua.”
Në udhën e parimeve ligjore të Perëndisë kemi shumë nevojë për një kuptim të shëndetshëm, që të jemi të zotë të mësojmë të tjerët. Është mirë të fillosh të njihesh me Ligjin, për të dalluar gjithëpërfshirjen, natyrën shpirtërore dhe rreptësinë e tij. Ne kemi nevojë të njohim udhën e Ligjit—një rrugë shumë e rëndë për t’u shkelur prej ndonjë njeriu të vdekshëm aq sa të fitojë shpëtimin. Është mirë të shqyrtosh rrugët e parimeve të Zotit për të parë sa tejet të gjëra dhe prapëseprapë, në të njëjtën kohë, sa jashtëzakonisht të ngushta ato janë. “urdhërimi Yt nuk ka asnjë cak”, dhe prapëseprapë, “sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!”
Është mirë për ne të dimë me saktësi çfarë Ligji mëson dhe çfarë Ligji cakton—pse iu nënshtruam urdhërimit të tij, dhe si mund të çlirohemi prej dënimeve të tij. Gjithashtu, ne kemi shumë nevojë të kuptojmë rrugët e parimeve të Ungjillit të Perëndisë—cilat janë këto parime—”pendohu,” “beso,” kthehu në besim” dhe parime të ngjashme. Kemi nevojë të jemi të aftë të shikojmë marrëdhënien e tyre, ku qëndrojnë, jo si mjete për një qëllim, por si rezultate të Hirit Hyjnor—urdhërime, por prapëseprapë premtime—detyra e njeriut, por prapëseprapë dhurata e Perëndisë! Lum ai predikues dhe mësues që kupton rrugët e parimeve të Ungjillit dhe nuk i lë kurrë që të përplasen me parimet e Ligjit, sa t’i mësojë ato të përziera, gjysmë Ligj dhe gjysmë Ungjill. Lum ai që njeh rrugët e parimeve ligjore të Perëndisë dhe i shikon ato të ndezura me zemërim Hyjnor për shkak të mëkatit—dhe dallon rrugët e parimeve të Ungjillit—që mund t’i shikojë ato të gjitha të shkëlqyeshme dhe prapëseprapë të gjitha të purpurta me gjakun e çmuar të Atij që hapi për ne rrugën e pranimit!
Rrugët e parimeve të Perëndisë! A nuk do të thotë kjo se ne duhet të njihemi me pozicionin relativ që parimet zënë? Sepse është shumë e lehtë, Vëllezër, nëse Perëndia nuk jep kuptimin, të predikosh një parim për të lënë pas dore një tjetër! Është e mundur që një shërbesë dhe një mësim të jetë i njëanshëm dhe ata që e ndjekin atë mund të bëhen më shumë karikatura të krishtërimit se sa të krishterë të balancuar plot harmoni. O Zot, çfarë krijesash të çmendura që jemi! Kur na jep zemër në një rrugë, ne vrapojmë në një skaj të tillë sa harrojmë se na ke dhënë edhe këshillë tjetër veç asaj që po tingëllon në veshët tanë!
Kemi njohur disa të urdhëruar për të qenë të përulur, të cilët janë përkulur poshtë derisa janë bërë të tutshëm dhe zemërlëshuar. Kemi njohur të tjerë të shtyrë për të qenë me mirëbesim, të cilët kanë shkuar larg përtej një kuraje modeste dhe janë kthyer kaq mburravecë sa tanimë ata kanë rënë në shkelje të rënda. A është besnikëria ndaj së vërtetës virtyti tënd themelor? Ki kujdes se mos jesh i pamëshirshëm! A është dashuria ndaj Perëndisë dhe njeriut aspirata jote më e lartë? Ki kujdes se mos bëhesh leshkoja e apostujve të rremë dhe hipokritëve të rrezikshëm! A e ke veshur vallë zellin si një rrobe? Ki kujdes tani, se prej një veprimi pamaturie mos rrokullisësh rrobën tënde në gjak.
Oh, sa e lehtë që është të stërmadhosh një virtyt derisa ky bëhet një cen! Një njeri mund të shikojë te vetja, të shqyrtojë veten dhe të hetojë me imtësi të gjitha veprimet e tij dhe motivet derisa bëhet egoist për të të ardhur keq! Ose, në anën tjetër, një njeri mund të shikojë te të tjerët, duke i këshilluar dhe duke i paralajmëruar, duke i predikuar dhe duke u lutur për ta derisa harron vetë gjendjen e tij, degjeneron në hipokrizi dhe zbulon i habitur se vetë zemra e tij nuk është e drejtë para Perëndisë. Ka një “udhë” për parimet—ka një kumbim për secilin me të cilin çdo kambanë lëshon notën e saj dhe krijon një melodi. Ka një përzierje, si në kohën e hershme, të vajit të vajosjes—pak nga kjo e pak nga ajo dhe nga tjetra dhe nëse ndonjë përbërës do të lihej jashtë, vaji do të humbiste aromën e tij të përkryer. Po ashtu ka një vajosje të jetës së shenjtë ku parim mbi parim gjenden të përzier mjeshtërisht, të njomur me delikatesë, të bashkuar me mirënjohje dhe ka Hir të dhënë për të ruajtur secilin prej këtyre parimeve dhe kështu që jeta bëhet e ëmbël si një vajosje shumë e çmuar për Zotin. Perëndia na dhëntë secilit prej nesh, nëse kemi për të mësuar të tjerët—dhe shpresoj se të gjithë ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë—të kuptojmë rrugët e urdhërimeve të Tij!
Edhe si lutje gjithashtu, kjo me siguri që do të thotë, “Më bëj që të kuptoj rrugën në mënyrë që të ruaj parimet e Tua.” Nuk i përket forcës njerëzore, sepse ai që ruan parimet e Perëndisë duhet të ruhet prej Perëndisë të parimeve. Për të ruajtur parimet ne duhet që ta ruajmë në zemër Atë që dha parimet dhe jeta e të Cilit është ilustrimi më i mirë i tyre. O Zot, na mëso rrugën për të respektuar dhe për të zbatuar urdhërimet e Tua! Na jep zemra të varura dhe të përulura që kapin ndikimet e Frymës Tënde që të mund të kuptojmë rrugën sipas së cilës duhen ruajtur këto parime. A nuk do të thotë—”Zot, më bëj që të kuptoj jetën e krishterë, sepse kjo është rruga e parimeve të Tua”?
Miq të shtrenjtë, nëse jeni mësues të të tjerëve, duhet që të jeni të njohur me përjetim me jetën e krishterë! Duhet të dini doktrinat e mëdha që e mbajnë dhe e vënë në lëvizje–doktrinat e mëdha që janë kalldrëmi i rrugës përgjatë se cilës udhëton i krishteri. Duhet të dini vetë parimet praktike—cilat janë ato dhe se si Zoti i ka shprehur ato për çdo rrethanë dhe për çdo kohë të jetës së krishterë. Duhet të dini doktrinën dhe praktikën—dhe duhet të njihni përvojën—nuk ka ndonjë vlerë ai predikues që flet për rrugën e parimeve të Perëndisë pa e pasur përjetuar atë rrugë! Ai duhet të ketë ndjerë gëzimin e vrapimit në të—mbasi ka marrë parimet dhe mbasi është udhëhequr nga to aq sa të ketë ndjerë se “respektimi i tyre sjell shpërblim të madh (ka një shpërblim të madh duke i parë).”
Po, dhe nuk do të jetë mësuesi më i keq ai që ka një kujtesë të gjallë për hidhërimin që vjen prej hallakatjes prej këtyre urdhërimeve, sepse ai mund t’i thotë mëkatarit, me sy të përlotur, se ai që largohet prej rrugës së bindjes do të humbasë shtigjet e paqes, sepse udha e urdhërimeve të Perëndisë është tepër e këndshme, por ata që thyejnë gardhin dhe ndjekin vetë vullnetin e tyre do të zbulojnë se kokëfortësia e tyre i shkakton pikëllim të dhembshëm dhe dhembje të madhe. Kjo është ajo që kemi nevojë për të kuptuar rrugën e parimeve të Perëndisë. Le të shkojë lutja lart në Qiell, sidomos prej çdo Vëllai të ri që po shpreson të predikojë Fjalën së shpejti, “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.”
Shumë dukshëm, këtu nënkuptohet një rrëfim. “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.” Do të thotë pikërisht këtë. “Zot, nuk e kuptoj. Jam i paditur dhe i pamend dhe nëse ndjek vetë gjykimin tim—nëse i jepem mendimit tim, me siguri që do të shkoj shtrembër. Zot, më bëj që të kuptoj.” Është një rrëfim i një njeriu të mirë që kupton shumë, por ndjen se nuk kupton gjithçka. Duke mësuar këtë, ai që kupton më shumë është njeriu që mendon se kupton më pak. Ai që ka njohurinë më të qartë të gjërave Hyjnore është pikërisht ai që ndjehet se ka një oqean të pafund shumë larg përtej vërejtjes së tij dhe ai thërret “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.” Është një rrëfim që duhet bërë, sepse është i ndjerë me shumë intensitet—ndërgjegjshmëria e marrëzisë dhe e padijes duke shtytur buzët të rrëfehen.
Lutja jonë prej nxënësi kërkon një dhuratë të madhe teksa thotë, “Më bëj që të kuptoj.” Kjo është diçka më shumë se, “Më bëj të njoh.” Ai sapo e pati thënë më përpara—”Më mëso statutet e Tua.” Çdo të krishteri i nevojitet ky mësim për veten e tij, por ai që ka për t’u bërë mësuesi i të tjerëve duhet të kërkojë një kuptim të thellë. Ju, mësues së shkollës të së dielës që mbikëqyrni fëmijët. Ju, pleq të Kishës që shikoni për kërkuesit dhe i ndihmoni për t’i shpjerë te Shpëtimtari—duhet që të mos kënaqeni me njohjen—ju duhet që të kuptoni. Një njohje sipërfaqësore me Shkrimet nuk do të mjaftojë për detyrën tuaj të rëndësishme. Mendja juaj duhet të depërtojë në domethënien më të thellë, në thesaret e fshehura të urtësisë. “Më bëj që të kuptoj.”
Katekizmi mund të japë përgjigje të drejta, por ne na nevojitet Mësuesi i gjallë për të na dhënë perceptime të vërteta. Inteligjenca nuk është aftësi e të sapolindurve—duhet që të jeni burra në të kuptuarin! Nxënësit e rinj shpejt humbin mirëbesimin në mësuesin e tyre nëse nuk është në lartësinë e duhur. Dëgjova dje dy shkollarë duke folur për mësuesin e tyre. Njeri tha, “Nuk ma merr mendja se ai di më shumë se ne.” “Epo, i duhet përherë që të shikojë te libri përpara se të na thotë ndonjë gjë, apo jo?” tha djaloshi tjetër. Nuk ka shumë kohë, teksa po vija këtu, vura re dy vogëlushë duke u përpjekur të mbanin një vogëlush tjetër pak më i vogël dhe që të tre u rrokullisën poshtë! Është bukur të shikosh fëmijë të vegjël që merakosen për të ndihmuar vëllain e tyre të vogël, por kur babai vjen, ai i ngre lart që të tre dhe i mban me lehtësi.
Ne nuk kemi shumë etër, por çdo i krishterë duhet të aspirojë këtë gjendje me vlerë dhe të nderuar në Kishë. Urtësia që vjen prej përvojës shpie të ajo. “Më bëj që të kuptoj.” Oh Zot, fëmijët kënaqen me lulet, më ndihmo që të zbuloj rrënjët! Më shpjer në sekretet, më bëj të njoh gjërat e thella të Perëndisë! Më ndihmo të dalloj! Më mundëso të gjykoj, të peshoj dhe të bluaj në mendje—dhe kështu që të kuptoj!
Të tilla arsye kur Ti i jep, më mundëso që t’i kuptoj. Atje ku nuk jep arsye, mëso arsyen time të ndjejë se duhet të ketë arsye shumë të mirë për të mos pasur dhënë arsye! Kështu që më bëj që të kuptoj atë që mund të kuptohet dhe të kuptoj se atë që nuk mund të kuptoj është po aq e besueshme sa ajo që nuk mund të kuptoj. Në të kuptuarin, nuk mund të të zbuloj kurrë në përkryerje o Perëndi. Nën sytë e Tu duhet të jem akoma një vogëlush edhe pse mund të jem një burrë në sytë e vëllezërve të mi të krishterë. “Më bëj që të kuptoj.”
Më pëlqen shumë të takoj ata njerëz të Zotit që kanë pasur shqisat e tyre të ushtruara në gjërat hyjnore dhe inteligjencën e tyre të pjekur. Në pjesën më të madhe, i gjejmë dishepujt si të porsalindur, të ngathët në Fjalën e Drejtësisë, duke përdorur qumësht ngaqë të paaftë për të tretur mish të fortë. Falënderoni Perëndinë për të sapolindurit! Lutuni Perëndisë që ata shpejt të rriten dhe të zhvillohen derisa të bëhen burra! Ai që e di se është një mëkatar dhe se Krishti Jezus është Shpëtimtari i tij, di mjaftueshëm për t’u shpëtuar. Por ne nuk kemi dëshirë të përjetësojmë kalamallëkun. Abetarja është thelbësore si manual bazë, por ama jo me abetaren përherë! A,B,C-ja nuk duhet të këndohet përherë në monotoni të lodhshme! Po ashtu, “Vetëm beso,” nuk duhet të bëhet kënga jonë e përhershme!
A nuk ka vallë të Vërteta të tjera të Perëndisë më të thella dhe më të larta? Është analogjia e madhe e besimit! Është doktrina e Besëlidhjes! Është doktrina e Zgjedhjes! Është doktrina e Bashkimit të shenjtorëve me Jezu Krishtin! Këto janë gjërat e thella të Perëndisë dhe mendoj se duhet të lutemi, “Zot, më bëj që t’i kuptoj ato.” Prapëseprapë kuptimi më i mirë është ai që synon shenjtërinë vetjake. “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.” Zot, nëse nuk mund të përleshem dot me doktrinën, më bëj të njohur cila është rruga e duhur për mua ku të eci në jetën time të përditshme. Nëse ndonjëherë e Vërteta Jote më huton dhe nuk mund të shoh atje ku përputhet kjo e Vërtetë e Perëndisë me një tjetër, prapëseprapë Zot, bëj që ndershmëria dhe drejtësia të mund të më ruajnë! Kështu që më bëj të njoh dhe të kuptoj rrugën e Statuteve të Tua që nëse tundohem dhe Tunduesi vjen si një engjëll drite, të mund të kuptoj dallimin midis engjëllit të vërtetë të dritës dhe engjëllin e rremë të dritës që të mos zihem në kurth. “Më bëj që të kuptoj rrugën e statuteve të Tua.” Sytë e mi qofshin të mprehtë për të njohur të drejtën në të gjitha koklavitjet e saj. Ndjeksha fillin e argjendtë të drejtësisë atje ku duket se mblidhet dhe përdridhet. Jepi shërbëtorit tënd një kuptim të tillë të qartë të asaj që Izraeli duhet të bëjë dhe të asaj që ai vetë, duhet të bëjë si pjesë e Izraelit, në mënyrë që të mos humbë kurrë rrugën.
Ky është kuptimi i llojit më të mirë në të gjithë botën. Psalmisti i bën thirrje Burimit të çdo urtësie, Burimit nga gufon çdo njohuri. Kush mund të vendosë urtësi në pjesët e brendshme përveç Zotit? Ose kush mund t’i japë kuptim zemrës përveçse i Shumëlarti Perëndi? Prindërit tanë dhe mësuesit tanë të shkollës të së dielës na mësuan bazat ndërsa në moshë të njomë ishim të përkulshëm dhe të modelueshëm. I falënderojmë shumë dhe i vlerësojmë me të madh. Prapëseprapë ata mundën vetëm të mësonin Ligjin dhe të shtypnin gërmën e tij në kujtesën tonë, edhe pse atë që shpesh e përsëritëm e harronim po aq shpesh. Është Zoti që na mëson me dobi me anë të Frymës Hyjnore. Sa mrekullueshëm që na mëson Zoti! Disa mësime duhet që të na nguliten me kamxhik—epo, Ai nuk e kursen fshikullën edhe sikur të qajmë! Mësime të tjera mund të na vulosen si me një hekur të nxehtë.
Disa nga ne mund të bekojnë Zotin se mbajmë në trupin tonë shenjat e Zotit Jezus, se Ai e vulosi të Vërtetën e Tij në vetë mishin dhe kockat tona kështu që tani, ne nuk mund të mos ta shohim, por duhet ta kuptojmë atë. Në çfarë vendesh të çuditshme që Perëndia vendos fëmijët e Tij! Keni dëgjuar për kolegje të quajtur me emra të çuditshëm—por kolegji më i mrekullueshëm që kam dëgjuar ndonjëherë është barku i balenës! Jona nuk do ti ishte përkulur kurrë Hirit Sovran po të mos qe hedhur thellë në thellësi, i rrethuar me ujëra dhe i përmbytur me shkulme dhe dallgë. Por shëndoshja e doktrinës së tij ishte shumë e dukshme në zërin e falënderimit të tij, sepse sapo doli prej barkut të balenës, ai tha, “Shpëtimi vjen nga Zoti! Një kolegj i detyruar për një Profet!
Por le të gjejmë kënaqësi që Perëndia ta zgjedhë kolegjin për ne dhe nëse, ashtu si Jozefi, shitemi në Egjipt, ose ashtu si fëmijët e hebrenjve, dërgohemi robër në Babiloni, ose kudo qoftë—për aq gjatë sa Ai na bën të kuptojmë rrugën e parimeve të Tij, kjo gjë do të na japë me të vërtetë kënaqësi! Krishti mësoi tre prej dymbëdhjetë dishepujve të Tij mbi Tabor, por njëmbëdhjetë prej tyre në Getsemane. Disa, edhe pse të favorizuar shumë me gëzime të mëdha, mësuan më tepër me anë të pikëllimeve të thella. Ai merr me vete veçse tre prej tyre për në dhomën ku ringjall vajzën e vdekur, sepse të gjitha mrekullitë e Tij nuk kanë për t’u parë prej të gjithë ndjekësve të Tij. Por ata mund ta sodisin Atë në Kryq dhe të mësojnë mrekullitë e ëmbla të dashurisë së Tij vetëmohuese!
Vëllezër dhe Motra të shtrenjtë, nuk do të kënaqesha pa u përpjekur të kuptoja gjithçka që mund të kuptohet prej dashurisë së Jezu Krishtit dhe prej të gjitha atyre të Vërtetave të çmuara që përbëjnë rrugën e parimeve të Perëndisë. Është shkollar i dobët ai që nuk dëshiron të mësojë më shumë se ç’gjendet përbrenda rrethit të vogël të detyrës së tij—një nxënës i mirë do të përpiqej të nxirrte aq shumë sa do të mundej prej mësuesit të tij. Qoftë vendimi ynë dhe i imi gjithmonë të mësojmë! Le të mos jemi kurrë të kënaqur të cekim lehtazi dallgën ose të hurbasim ca pika në buzën e lumit. Le të gjejmë ëndje më mirë me zhytjen në rrymën e kthjellët të njohurisë! Zbulesa grish për kërkim dhe ia shpalos depot e saj më të përzgjedhura vetëm atyre që kërkojnë për to si thesare të fshehura.
Oh, Perëndia im! Dëshiroj me zjarr të qëmtoj, të mbledh, të fitoj njohuri! Do të jepja me kënaqësi çdo orë që kam për t’u ulur te këmbët e Tua! Do të të dorëzoja çdo aftësi që kam që të mund të mësoja. Me anë të veshit, me anë të syrit, me anë të shijes do të doja të thithja mësimin! Po dhe në çdo periudhë zbavitjeje do të doja të thith aromën e veprave të Tua të mrekullueshme. Dhe kur kërkoj çlodhje do të doja të mbështesja kokën time në kraharorin Tënd që të mund të mësoja dashurinë Tënde me anë të prekjes po ashtu si me çdo shqisë tjetër. Çdo portë e qytetit të shpirtit të njeriut u mbushtë me tregtinë e mallit të çmuar të njohurisë qiellore. Dhe Zot, do të doja të të hapja thellësinë më të skajshme të shpirtit tim që Drita jote të mund të shkëlqejë në pjesët më të fshehta të natyrës sime. Oh, dëgjo klithmën time! Më bëj të kuptoj rrugën e parimeve të Tua!
II. Tani, miq të shtrenjtë, le të kalojmë në pikën tjetër për të vënë re, KOHËZENIEN E NJERIUT TË MËSUAR. Kur Zoti i ka mësuar një njeriu rrugën e parimeve të Tij, këtij i përket të përdorë ashtu siç duhet privilegjet e tij të shenjta—”Dhe do të flas për veprat e tua të mrekullueshme.” Si një mësues besnik, le të dëshmoj për veprat e Perëndisë—veprat e Tij të mrekullueshme. Është një predikim i keq ai që flet tërësisht për veprat e njeriut, sidomos nëse predikuesi i nxjerr në pah veprat tona si diçka e jashtëzakonshme. Ne nuk duhet të predikojmë veprat e njeriut, por veprat e Perëndisë—jo vetë veprat tona, por veprat e Zëvendësuesit tonë të madh!
Ka dy vepra, veçanërisht, për të cilat ju njerëz të krishterë duhet t’i flisni të tjerëve—vepra e Krishtit për ne dhe vepra e Frymës së Shenjtë përbrenda nesh. Këto janë tema që nuk do të shterohen kurrë. Vepra e Perëndisë Bir për ne në jetën, vdekjen e Tij, Ringjalljen dhe Ngritjen lart—ndërmjetësimin e Tij në krahun e djathtë të Perëndisë dhe ardhjen e Tij të dytë—çfarë teme që është këtu përpara jush! Sa të mëdha që janë veprat e Krishtit në vendin tuaj! Predikoni Zëvendësimin e Tij me forcë. Mos të ketë keqkuptim në lidhje me këtë! Le të thuhet se Krishti qëndroi në vendin e njerëzve të Tij, jetoi dhe vdiq për ta!
Për më tepër, është vepra e Frymës së Shenjtë përbrenda nesh—ndikimi jetësor dhe rëndësia e veprës së Tij nuk do të ishte e mundur të zmadhoheshin. Nuk do ta vlerësoja atë njeri që përpiqet të flasë në lidhje me këtë shërbesë Hyjnore nëse nuk është sjellë nën pushtetin e saj dhe nëse nuk është shpjerë, me anë të përjetimit, ta kuptojë atë—veprën e bindjes, veprën e ripërtëritjes, veprën e zbrazjes, përuljes dhe gjunjëzimit—veprën e udhëheqjes në pendim dhe besim, veprën e shenjtërimit, veprën e ushqimit të përditshëm të Jetës Hyjnore, veprën e përkryerjes së shpirtit për në Qiell! Ka shumë vend këtu për të bërë një proçkë nëse Perëndia nuk ju bën që të kuptoni rrugën e parimeve të Tij! Por nëse keni një njohuri të mirë të qartë se çfarë është jeta e krishterë, atëherë, Vëllezër dhe Motra të shtrenjtë, qëndroni gjithmonë mbi këto dy gjëra—atë që Zoti ka bërë për ne dhe atë që Zoti po bën përbrenda nesh kur na nxjerr jashtë prej errësirës në dritën e Tij të mrekullueshme!
Karakteri i mrekullueshëm i këtyre veprave të Perëndisë hap një studim që mendja e përshpirtshme mund të shqyrtojë përherë me emocione nderimi dhe ëndjeje! Ka pak gjëra në botë prej të cilave njerëzit mrekullohen. Ata flasin për shtatë mrekullitë e botës. Besoj se nuk ka as dhe një prej atyre mrekullive prej të cilave disa nuk kanë reshtur të mrekullohen. Nëse i shikoni disa herë, mësoheni me to dhe mahnitja avullon. Por për veprat e Zotit dhe sidomos këto dy vepra, ju mund të mendoni për to, t’i hulumtoni, t’i gëzoni çdo ditë të një jete të gjatë dhe rezultati do të jetë, jo një zvogëlim, por një rritje e mahnitjes tuaj! “Veprat e Tua të mrekullueshme!”
Perëndia i mishëruar në Birin e Marisë! Vepër e mrekullueshme kjo! Perëndia në punishten e zdrukthtarit! Biri i Perëndisë duke ngulur gozhda dhe duke përdorur çekiçin! Vepër e mrekullueshme kjo! Jezusi në tezgjah, duke endur një drejtësi për popullin e Tij, duke hedhur shpirtin e Tij në sovajkë dhe duke prodhuar një pëlhurë të tillë të pashoqe për fustanin e nusërisë të vetë nuses së Tij të zgjedhur sa të gjithë engjëjt në Qiell qëndrojnë të palëvizur, e vështrojnë dhe mahniten se si u punua një pëlhurë e tillë! Vështrojeni Atë—vetë Perëndia, në mish njerëzor—duke dhënë shpirt, duke mbajtur mëkatin njerëzor me një begenisje që është e mrekullueshme përtej çdo mrekullie! Vështroheni Atë duke hedhur të gjithë atë mëkat në thellësinë e detit, me një fuqi të mrekullueshme merite, duke e mbytur një herë e përgjithmonë në honin e pafund! Vepër e mrekullueshme kjo!
Më pas shikoni Atë duke u shfaqur përpara përsëri, i shkarkuar prej të gjitha zotimeve të Tij të dorëzanisë, duke pasur paguar borxhin. Dhe shikojeni duke gozhduar në Kryqin e Tij shkrimin e urdhërimeve që ishin kundra nesh! Oh, vepër e mrekullueshme! Mund të flitet për të natë e ditë dhe pa u lodhur kurrë! Vështroje Atë duke u ngritur si Përfaqsuesi ynë, duke na garantuar jetën! Shikojeni duke ngjitur qiejt dhe duke hedhur një mbushullim mëshirash mes njerëzve rebelë. Merr në konsideratë ndikimin e autoritetit të Tij ndërmjetësues, pushtetin që i ka dorëzuar Ati i Tij, sepse Ai i ka dhënë pushtet mbi çdo mish, që të mund t’i japë jetë të përjetshme atyre që Ati i dha Atij.
Dëgjoni, dëgjoni përgjërimet e Tij si Prift mbi Fron! Çfarë vepre e mrekullueshme që është kjo! Përsëri, përmes pamjes apokaliptike—sodit të gjitha lavditë e ardhshme kur Ai do të vijë të mbretërojë mbi tokë! Këtu keni fusha të reja drite që i hapen vështrimit tuaj të mahnitur—nxitje të freskët për t’u mrekulluar, për të admiruar dhe adhuruar! Dhe çfarë do të thoja për këto vepra të mrekullueshme që duken kaq të afërta dhe kaq të njohura për vëzhgimin tonë dhe prapëseprapë çorodisin hulumtimin tonë, derisa aq më shumë që i këqyrim aq më shumë ndjejmë habi? Kisha në botë e mbajtur gjallë nga një brez në tjetrin me anë të Dikujt Prania e të Cilit ishte premtuar, u dha dhe është e ndjerë tani dhe e provuar prej shenjtorëve—Parakletosin e bekuar, Ngushëlluesin që Jezusi e dërgoi prej Atit! Me anë të veprimit të Tij, periudha të gjata thatësire dhe dëshpërimi janë ndjekur përherë prej kohësh freskimi prej Pranisë së Zotit me anë të zgjimeve dhe përsëritjeve të shenjave dhe mrekullive ashtu si atëherë kur filloi, por që nuk mbaroi në ditën e Rrëshajave!
Nuk e di asnjëherë nga çfarë të mrekullohem më shumë—Perëndia në mish njerëzor, Biri i mishëruar—apo Fryma e Shenjtë banuese në njeriun! Përbanimi është po aq i mrekullueshëm sa Mishërimi! Çdo predikues ungjillor le t’i japë vetë shpirtin e tij mahnitjes dhe mirënjohjes që i përshtatet frymëzimit prej këtyre veprave të Perëndisë. Më pëlqen të shikoj predikuesin, kur është duke folur për këto gjëra, të duket si një njeri i goditur nga habia, duke vështruar para një hapësire të gjerë, i humbur në pafundësinë para tij! Njësoj sikur të ishte në mes të detit, duke u dredhur me adhurim! Njësoj sikur telat e natyrës së tij të dridheshin prej misterit dhe madhështisë që e rrethojnë. Ka gjurmë të këndshme të aftësisë të epërme të Perëndisë në gjërat e vocërra kur shihen përmes një mikroskopi—por këto vepra të mrekullueshme të Perëndisë janë të një tjetër lloji! Ato shfaqin pushtetin e Tij të madh!
Mos flisni për historinë e vjetër, atë të vjetrën sikur të ishte kthyer në një histori të rëndomtë dhe të parëndësishme për veshët tuaj duke dalë në mënyrë mekanike prej gjuhës tuaj. Dëgjoni zërin e ngadaltë, të thellë të ëmbël të oqeanit të fuqishëm të Hirit derisa t’ju zalisen shpirtrat përbrenda jush! Më pas flisni me tone emocioni të fortë si ato të Palit—”O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” Prapëseprapë ju ka hije që të flisni shumë qartë. Shikoni se si thuhet. “Do të flas për veprat e Tua të mrekullueshme.” Të flasësh është mënyra më e thjeshtë e komunikimit. Secili prej jush nuk mund të predikojë, por ju të gjithë mund të flisni dhe nëse disa predikues nuk do të përdornin fjalët e fryra, por të tregonin thjesht e pa lustra, atëherë ata do të kishin më shumë sukses se ç’kanë tani.
A mendoni vallë se Perëndia do të donte që shërbenjësit e Tij t’i bënin dëm vetes kur dalin të dielave me një ose dy shfaqje “intelekti” dhe gojëtarie? Me siguri që Perëndia nuk vepron kështu! Nuk mendoj se Pali predikoi ndonjëherë ndonjë predikim të rafinuar ose se Pjetri i shkoi mendja ndonjëherë për ndonjë shfaqje intelekti. Ditën e djeshme pyeta dikë që pati dëgjuar një predikim, nëse ishte e mundur që mëkatarët të ktheheshin në besim nga predikimi i tij. Ai tha, “Oh, jo! Në asnjë mënyrë! Por ama ishte një ëndje intelektuale.” A gjendet në ndonjë vend në Bibël ndonjë fjalë në lidhje me kënaqësitë intelektuale ose ndonjë gjë e afërt me një ide të tillë? A nuk ka vallë një vend në anën tjetër të detit ku po përpiqen të bëjnë predikime me gojëtari, të rafinuara, sa për sy e faqe që të sjellin në mendje mënyrën se si përfundojnë fishekzjarret—fjalime të përbëra prej dritash blu dhe shkëlqimesh? Ata e quajnë këtë “fjalim të gjatë”, besoj. Por rruga e të krishterit—e të krishterit të vërtetë—është të flasë për veprat e mrekullueshme të Perëndisë! Më thoni historinë e vjetër, atë të vjetrën! Mos e thoni me krenari por thjesht, sikur t’i flisnit një fëmije të vogël! Perëndia do të ketë më shumë lavdi prej kësaj, për shpirtin tuaj më ngushëllim dhe për shpirtrat e atyre që mësoni më përfitim se sa prej të gjitha fluturimeve poetike ose zbukurimeve stilistikore. Ata që do të donin të fitonin shpirtra duhet të marrin fjalët e Davidit këtu dhe të thonë, “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua.” Dhe kështu që do të heq dorë prej “fryrjes” dhe “do të flas për veprat e tua të mrekullueshme.”
“Bekuar qoftë Perëndia,” tha një bujk në Mbledhjen e Lutjeve, “që u ushqyem të dielën e kaluar prej një grazhdi të ulët, sepse në të shumtën e rasteve e patëm hesën aq lart sa njerëz të pamësuar si ne nuk mund ta arrinim dot.” Kur dëgjova falënderimin e bujkut, m’u duk shumë i urtë. Kur një njeri është i mësuar në besim, ai shpesh do të flasë në lidhje me këto gjëra. Një bisedim i tillë mund të jetë i shpeshtë, pa qenë i mërzitshëm. Davidi thotë, “do të flas.” Predikimi është një ushtrim për t’u ndërmarrë herë pas here, por të folurit, besoj, mund të vazhdohet prej disa njerëzve gati çdo minutë të ditës. Me siguri që pak njerëz e quajnë gjë të vështirë të flasësh çdo ditë! Dhe kur Perëndia na bën që të kuptojmë rrugën e parimeve të Tij, do ta kemi Ungjillin në majë të gishtave kështu që këdo që të takojmë, do të jemi të aftë t’i flasim në një stil të thjeshtë dhe të zellshëm në lidhje me shpëtimin e Perëndisë.
Do të doja, Miq të shtrenjtë, që e folura jonë të ishte gjithmonë e lezetuar me kripë—që biseda jonë më e zakonshme të ishte e vesuar me vajosje qiellore, duke i dhënë Hir dëgjuesve. Por edhe pse shumë e drejtpërdrejtë dhe e shpeshtë, e folura e mirë e Psalmistit ishte shumë e saktë dhe nuk i mungoi hijeshia, sepse ai thotë, “Do të flas për veprat e Tua të mrekullueshme.” Çfarë do të thotë ai me këtë? Ai kërkon të kuptuarin. “Më bëj që të kuptoj dhe më pas do të flas si një njeri i zgjuar.” Vëllezër dhe Motra, ju që flisni për Jezu Krishtin, u mundësofshi të flisni për Të në një mënyrë të zgjuar. Shumë dëm serioz ka ardhur shpesh duke i rënë harpës në një tel. Disa njerëz janë shumë më të interesuar të shprehin vetë idealet e tyre se sa të shpalosin këshillat e Perëndisë. Nëse kuptojmë rrugën e parimeve të Perëndisë, nëse fitojmë gjuhën e saj, nëse mësohemi me të—atëherë do të flasim me kuptim—dhe do të ketë një harmoni dhe urtësi në fjalimet tona të cilat do të bekohen për ndërtimin e dëgjuesve.
III. Do ta mbyllim duke vërejtur MARRËDHËNIEN E NGUSHTË MIDIS LUTJES SË NXËNËSIT DHE SHPALLJES SË VEPRAVE TË TIJ. “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua dhe do të flas për veprat e Tua të mrekullueshme.” Lidhja qëndron pjesërisht në ëndjen e gjetur në këtë njohuri me pasionin për ta komunikuar atë. Një njeri që kupton Krishtin dhe veprën e Tij ndërmjetësuese—dhe Frymën dhe veprën e Tij shenjtëruese—nuk mund të heshtë! Zjarri është nisur dhe flakët do të përhapen. Ai do të rrëmbehet nga habia, admirimi dhe mirënjohja adhuruese prej mëshirës dhe dashurisë së madhe të Perëndisë që do të shkaktojë një shpërthim përbrenda kraharorit të tij. Ai do të jetë si një enë e mbushur plot që ka nevojë për zbrazje dhe i duhet patjetër kjo gjë. Njësoj sikur të kishte zjarr në kockat e tij, ai do të thërrasë, “Mjerë unë po nuk predikova Ungjillin!” I lutem Perëndisë që të ketë kuptim më të thellë të rrugëve të Tij, sepse atëherë shumë gjuhë të heshtura do të flisnin. Tema vetë, pa ndonjë dhunti të jashtëzakonshme të kërkuar prej njeriut, do të mjaftonte për të siguruar vëmendjen që ajo kërkon me ngulm. Teksa zemra gufon me falënderim, buzët hapen me forcë vetvetiu për të kënduar. Me siguri që Ana do t’ju thotë se ishte më e lehtë për një grua shterpë të përmbante lotët e saj se sa për një nënë të gëzueshme të ndrydhte himnin e saj të përlëvdimit!
A të deshi Jezusi kur ishe i dëshpëruar? A të gjeti kur ishe i huaj dhe e provoi veten si një Mik? A të strehoi, ndërsa një mëkatar, dhe të mbrojti prej çdo dëmtimi? A vdiq që të mund të jetosh? A e di se Jezusi është Miku yt i ngushtë dhe se gjen ëndje të madhe të të shpengojë për të të bërë të vetin? Kjo e vërtetë le të agojë në zemrën tënde dhe edhe sikur gjuha jote të ishte memece më përpara, tani duhet që të fillojë të flasë—
“Tani do t’i them mëkatarëve përreth
se çfarë Shpëtimtari të shtrenjtë kam gjetur
Do të tregoj për te gjaku i Tij shpengues
Dhe do të them, “Shikoni udhën për te Perëndia.”
Kjo gjë nxistë disa nga ju që doni Zotin dhe prapëseprapë nuk flisni kurrë për Të! Ju shpjertë në një hetim të shenjtë zemre. Me siguri që nuk keni një kuptim të Tij ashtu siç duhet të keni ose përndryshe ndonjëherë heshtja juaj do të shkrihej dhe fjalët e juaja do të tradhtonin emocionet tuaja të forta. Nëse kuptoj rrugën e parimeve të Perëndisë, atëherë do të furnizohem plotësisht me thelb për të folur për veprat e Tij të mrekullueshme!
Çfarë gjëje e tmerrshme duhet të jetë për një njeri të hiqet si mësues i të tjerëve nëse nuk njeh gjërat e Perëndisë, vetë ai, me përjetim. Kjo gjë mund të bëhet, ju e dini mirë, dhe mund të bëhet shumë lirë. Mund të blini predikime të shtypura dhe që me siguri nuk janë predikuar në zona të largëta—secilin për nëntë péni! Mund t’i keni për pak para. Por fatura do të jetë e kripur së fundi për njeriun që bën kësisoj gjërash! Është e lehtë për ju të mësoni në klasat e juaja duke lexuar shënimet e shoqatës së Bashkimit të Shkollave të të Dielave, duke përgatitur leksionin dhe duke e pasur memorizuar të gjithin në mendje. Ah, por, miq të mi të shtrenjtë, si do të përgjigjeni vallë mbasi keni mësuar fëmijët në shkollën e së Dieles kur nuk keni qenë kurrë fëmija i Perëndisë dhe ju vetë nuk jeni mësuar kurrë prej Perëndisë? “Por të pabesit Perëndia i thotë: “Çfarë të drejte ke ti të përmendësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen Time?”
Mos u përpiq t’u mësosh të tjerëve atë që ti vetë nuk e kupton! Përgjunju dhe klith, “Më bëj që të kuptoj rrugën e parimeve të Tua, dhe do të flas për veprat e Tua të mrekullueshme.” Vëllezër të shtrenjtë, veçanërisht ju që keni për t’u bërë shërbenjës të Ungjillit dhe që keni filluar të predikoni—kërkoni një kuptim më të thellë të gjërave Hyjnore ose përndryshe shërbesa juaj do të jetë e ligur dhe e varfër. Nëse nuk ju ka hyrë në zemër mirëbesimi i Perëndisë dhe nëse nuk keni filluar të njihni këshillat e Tij, nuk mund t’i kryeni me sukses detyrat solemne që ka nën përgjegjësi ambasadori i Krishtit! Thërrisni fuqishëm për të qenë të mbushur mirë me një kuptim të Ungjillit—dhe kështu do të gufoni për të tjerët dhe do të flisni për veprat e mrekullueshme të Perëndisë!
Një edukim i tillë i shëndoshë do t’ju veshë me autoritet. Një njeri i cili, në vetë zemrën e tij, e di se për çfarë po flet dhe predikon atë që ka shijuar dhe ka prekur me dorë prej Fjalës së Hirit, do të theksoj fort çdo fjalë. Nuk ka rëndësi se çfarë gjuhe përdor—pushteti nuk qëndron në stolisjen, por në vetë të Vërtetën e Perëndisë që ai shpall! Nuk është lustra e fjalimit të tij, por zjarri i shpirtit të tij që lëshon forcë bindjeje. Oh, sa shpesh që zemra ime është freskuar prej një dëshmie të përulur të një burri të varfër që ka folur vetëm për atë që Zoti ka bërë për të! Çfarë fuqie që ka në të folurin e përjetuar! Doktrina e thatë dhe fjalët bajate të përshpirtshme të huazuara prej librave bëhen të mërzitshme për veshin dhe janë të hidhura për shijen—por ai që flet për gjëra që ka kuptuar në lidhje me Mbretin—ai e ka gjuhën si pena e një shkrimtari të zotë!
Njoh të krishterë të moshuar që duken, sa herë që flasin, sikur derdhin diamante dhe smeralde prej buzëve të tyre. Njeriu do të dëshironte ta ruante si të shtrenjtë çdo rrokje që shqiptojnë, jo sepse ka ndonjë gjë shumë mendjemprehtë ose origjinale në ndonjë fjali, por sepse ka një kumbim në çdo fjalë të tyre njësoj si shiu kur bie me bollëk. Ka një thellësi hyjnore, një ëmbëlsi të shenjtë, një hov jete në çdo shqiptim të çalë që lind prej buzëve të tyre! Ju thoni, “Ai njeri di më shumë se ç’thotë. Ai nuk ekspozon të gjithë mallin e tij në vitrinë. Ai ka qenë në vendin e fshehtë të shoqërimit. Fytyra e tij shkëlqen edhe pse zëri i lëkundet.” E provofshim veten mësues të tillë, ju dhe unë, atëherë kur kemi arritur pjekurinë më të madhe, duke pasur dritë në vetvete dhe duke ndriçuar të gjithë ata që janë nën rrezen e ndikimit tonë! Për atë që Perëndia na ka udhëhequr për ta kuptuar, qofshim instrumentet e komunikimit me anë të bisedimit tonë të zakonshëm, me fjalim që është i thjeshtë, pa mburrje, prapëseprapë i zellshëm, besnik dhe qiellor.
Vëllezër dhe motra, jo të gjithë mund të predikojnë, por ju të gjithë mund të ngriheni dhe të veproni, duke i mësuar të tjerëve atë që dini! Mos u përpiqni t’i mësoni atyre atë që nuk dini. Aq sa e njihni Krishtin, i flisni për Të të afërmve dhe të njohurve tuaj, miqve dhe fqinjëve tuaj. Vëllai dhe Plaku ynë i shtrenjtë, i ndjeri Zoti Verdon, në një natë të tillë si kjo do të ishte duke kërkuar me merak për ndonjë njeri që duket se ka dëgjuar me falënderim—dhe nuk do t’i kishte lejuar të largoheshin pa iu avitur në mënyrën e tij të sjellshme dhe pa filluar t’i flasë për Krishtin.
Kam nevojë për disa si ai! Ai nuk jeton më. I lutem Zotit që disa të mund të pagëzohen për të vdekurit, që të qëndrojnë në vendin e tij dhe të zënë të çarën që lëvizja e tij ka bërë në radhët tona. Na nevojitet një ushtri folësish të krishterë të urtë dhe të kujdesshëm. Nuk e di se a kemi nevojë më urgjente se në të tashmen—për njerëz që mund të flasin në tren, mund të flasin në rrugë, mund të flasin në kuzhinë, mund të flasin në punishte, mund të flasin në anën tjetër të banakut—mund, në fakt, të gjuajnë rastin për të folur për Jezusin! Kam nevojë për ju, Miq të shtrenjtë, për t’i kërkuar Zotit t’ju kualifikojë për këtë shërbim dhe që t’ju shpjerë aty. Disa nga ju duken sikur po ecin praptazi, sepse jeni akoma më ngurrues se më përpara! Do të doja që të ishit si Arkimedi kur ai zbuloi sekretin dhe nuk mund ta mbante për vete prej gëzimit të madh, por vrapoi në rrugë duke thërritur, “E gjeta! E gjeta!”
Ejani, thyeni heshtjen tuaj fajtore dhe thërrisni me zë të lartë, “E gjetëm Atë, për të Cilin shkroi Moisiu në Ligj dhe Profetët, dhe nuk mund të rri dot pa folur për Të.” Përsa i përket të tjerëve që nuk janë besimtarë, i lutem Zotit që të mund t’i vini veshin mesazhit për të cilin i kërkoj të tjerëve të flasin. Ja ku është—”Krishti Jezus erdhi ne botë për të shpëtuar mëkatarët. Kush beson në Të ka jetë të përjetshme.” “Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar.” Zoti ju sjelltë për ta pranuar këtë lajm, për të besuar në Jezusin dhe për të gjetur jetën e përjetshme. Amen.