Mbi Charles Spurgeon, Princi i Predikuesve
-
Parathënie
-
Kthimi i tij në besim
-
Teologjia e tij, Jezu Krishti
-
Predikimi i tij, për Jezu Krishtin
-
Përfitimet nga shkrimet e tij
Parathënie
Në përgatitjen e këtij materiali mbi Charles Spurgeon, përveçse i jam referuar bollshëm burimeve të ndryshme dhe të pasura që gjenden online përfshirë materialet e përkthyera në shqip në këtë faqe ueb, kam përdorur shpesh po ashtu vetë thënie të Spurgeon si mënyra më e mirë për të kuptuar më mirë mbi të, shërbesën dhe ndikimin e tij duke pasur parasysh se mbetet i pakrahasueshëm në të folurin e qartë, konciz, tejet të zhdërvjellët si dhe për argumentimin dhe shtjellimin tejet të fuqishëm, shpirtëror dhe biblik. Nuk mund të mos bazohesha sadopak po ashtu edhe te vetë përvoja, përkrahja, mbështetja, inkurajimi dhe ndikimi shpirtëror i padiskutueshëm dhe i thellë që kam pasur gjatë jetës sime si besimtar duke lexuar Spurgeon si një nga barinjtë më të urtë dhe më besnik ndaj Fjalës së Perëndisë.
Kthimi i tij në besim
Charles Spurgeon njihet ndryshe si princi i Predikuesve, është predikues anglez dhe mbetet një nga predikuesit më të njohur të të gjitha kohërave. Ai i përket shekullit të XIX, lindi në 19 qershor në vitin 1834 dhe vdiq në 31 janar 1892, gati 58 vjeç. Jetoi gjatë kohës së Britanisë viktoriane dhe revolucionit industrial. Është e rëndësishme të njohim sadopak kontekstin socio ekonomik dhe politik të kësaj periudhe në mënyrë që të kuptojmë më mirë shërbesën dhe ndikimin e Spurgeon deri në ditët e sotme. Shkenca dhe progresi në tërësi filloi të kishte një vend gjithnjë e më shumë qendror në epokën viktoriane edhe pse në aspektin filozofik shoqëria viktoriane zhvilloi një rezistencë ndaj racionalizmit dhe u pri më shumë drejt romantizmit dhe misticizmit. Britania e Madhe kishte krijuar praktikisht një perandori dhe sundonte mbi dete. Kishte në përgjithësi një paqe si të brendshme brenda territorit ashtu edhe jashtë. Dy partitë kryesore ishin liberalët dhe konservatorët. Zhvillimi hekurudhor e ndryshoi thellësisht komunikimin dhe marrëdhëniet në territor si dhe shoqërinë në tërësi. Popullsia gati u dyfishua gjatë kësaj kohe. Ishte pra një shekull ku janë hedhur shumë nga farat liberale, filozofike, ekonomike e sociale të cilave vazhdojmë t’ia shohim frytin në shekullin e 21 si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Kjo është me siguri një nga arsyet se Spurgeon vazhdon të jetë tejet aktual dhe influencues.
Spurgeon u kthye në besim në Krishtin ndërsa ishte ende i ri dhe ishte produkt i rritjes së perëndishme në një familje pastori. Dy shembujt kryesorë të Spurgeon, i ati dhe gjyshi, ishin të dy pastorë të perëndishëm. Spurgeon u rrit në familjen e gjyshit nga mosha dy deri në gjashtë vjeç. Diçka, ndoshta vështirësitë ekonomike, e shtynë që të jetonte me gjyshërit e moshuar në një fshat pranë vendit ku banonin prindërit e tij. Charles Spurgeon ishte shoqëruesi i përhershëm i gjyshit, si në studime pastorale, ashtu edhe kur plaku Spurgeon bënte vizita pastorale. Charles i ri i donte librat e gjyshit dhe ishte gjeni kur vinte puna për të lexuar. Ai fitoi një dashuri për librat shumë herët, sidomos për librin “Udha e Shtegtarit”[1] që me siguri ishte libri i tij i dytë më i lexuar mbas Biblës duke e pasur lexuar atë për herë të parë në moshën 6 vjeç dhe gjithsej mbi 100 herë.
Vetë historinë e kthimit të tij në besim Spurgeon e ka përmendur mbi 280 herë në predikimet e tij dhe është me të vërtetë unike e mrekullueshme dhe nuk të lodh.
Nganjëherë mendoj se mund të kisha qenë në errësirë e dëshpërim akoma tani, po të mos ishte mirësia e Perëndisë, i cili dërgoi një stuhi dëbore një mëngjes të diele ndërsa po shkoja diku për të adhuruar. Kur nuk mund të shkoja më tej, u ktheva në një rrugë anësore dhe arrita te një Kishë e vogël Primitive Metodiste. Në atë kishëz atje, mund të mos kishte më shumë se dhjetë, ose pesëmbëdhjetë vetë. Kisha dëgjuar për metodistët primitivë, se si këndonin me zë aq të lartë, sa i bënin njerëzit t’u dhembte koka, por kjo nuk më shqetësonte. Unë doja të dija si mund të shpëtohesha dhe, nëse ata mund të ma tregonin këtë, nuk më shqetësonte se sa do të më bënin të më dhembte koka. Pastori nuk erdhi atë mëngjes; ishte bllokuar nga bora, mendoj unë. Më në fund, një njeri shumë thatanik në pamje, këpucëbërës ose rrobaqepës ose diçka e këtij lloji, shkoi te podiumi për të predikuar. Tani, është mirë që predikuesit të marrin mësime, por ky burrë ishte vërtet pa shkollë. Ai ishte i detyruar t’i qëndronte besnik tekstit, për arsyen e thjeshtë se kishte shumë pak tjetër ç’të thoshte. Teksti ishte:
“Shikoni nga unë dhe do të shpëtoheni ju mbarë skaje të tokës.” (Isaia 44:22)
Ai as nuk i shqiptonte fjalët si duhet, por kjo nuk kishte rëndësi. Ekzistonte, mendova unë, një rreze shprese për mua në atë tekst. Predikuesi filloi kështu: “Miq të dashur, ky është vërtet një tekst shumë i thjeshtë. Këtu thuhet: “Shikoni.” Tani të shikuarit nuk është se kërkon shumë mund. Nuk duhet të ngresh, as këmbën, as gishtin; është thjesht “shikoni.” Epo, njeriu nuk ka nevojë të shkojë në kolegj për të mësuar të shikojë. Mund të jesh budallai më i madh, e prapë mund të shikosh. Njeriu nuk ka pse të jetë një mijë vjeç për të qenë i aftë të shikojë. Kushdo mund të shikojë; edhe një fëmijë mund të shikojë. Por pastaj teksti thotë: “Më shikoni Mua, ej!” thirri ai në dialektin e vet, “shumë prej jush po shikoni veten, por nuk ia vlen të shikoni aty. Nuk do të gjeni kurrë ngushëllim brenda vetes. Disa shohin Perëndinë Atë. Jo, shikoni Atë vetëm. Jezu Krishti thotë: “Më shikoni Mua.” Ca nga ju thonë: “Ne duhet të presim për punën e Frymës.” Me atë nuk keni punë tani në këtë moment. Shikoni Krishtin. Teksti thotë “Më shikoni Mua.” Pastaj njeriu i mirë e plotësoi tekstin kështu: “Më shikoni Mua; po djersij me pika të mëdha gjaku. Më shikoni Mua; jam varur në kryq. Më shikoni Mua; kam vdekur dhe jam varrosur. Më shikoni Mua; jam ngjallur përsëri. Më shikoni Mua; jam ngjitur në qiell. Më shikoni Mua; jam ulur në të djathtën e Atit. O mëkatar i shkretë, më shiko Mua! Më shiko Mua!” Kur kishte vazhduar kaq gjatë, duke ia dalë të flasë për nja dhjetë minuta përafërsisht, kishte ardhur në fund të litarit të vet. Pastaj më pa mua nën galeri dhe, a mund të guxoj të them, me kaq pak veta të pranishëm, ai e dinte se unë isha i huaj. Thjesht duke mbajtur sytë mbi mua, sikur ta njihte gjithë zemrën time, ai tha: “Djalosh, ti dukesh shumë i mjerë.” Në fakt, ashtu ishte; por nuk isha mësuar të më bëheshin komente nga podiumi për paraqitjen time më parë. Megjithatë, kjo ishte një goditje e mirë, qëlloi tamam në shenjë. Ai vazhdoi: “Ti gjithnjë do të jesh i mjerë, i mjerë në jetë dhe i mjerë në vdekje, nëse nuk i bindesh tekstit tim; por nëse bindesh tani, në këtë çast, ti do të shpëtohesh.” Pastaj, duke ngritur duart lart, ai thirri, ashtu si mund të thërrasë vetëm një metodist primitiv: “Djalosh, shiko Jezu Krishtin. Shiko! Shiko! Shiko! Nuk ke asgjë që duhet të bësh, vetëm të shohësh e të jetosh.” Unë e pashë menjëherë udhën e shpëtimit. Nuk e di se çfarë tha tjetër, nuk i kushtova shumë rëndësi, isha aq i pushtuar me atë mendim të vetëm. Njësoj si atëherë kur gjarpri prej bronzi u lartësua, njerëzit vetëm shikonin dhe shëroheshin, kështu ndodhi me mua. Kisha pritur të bëja pesëdhjetë gjëra, por kur dëgjova atë fjalë “Shiko!” sa fjalë e ngrohtë m’u duk! Oh! Shikova derisa gati sa nuk pashë që sytë po më largoheshin. Atje dhe atëherë reja u largua, errësira kishte marrë tatëpjetën dhe atë çast unë pashë diellin. Mund të isha ngritur në atë moment dhe të këndoja me më entuziastin prej tyre, për gjakun e çmuar të Krishtit dhe besimin e thjeshtë që shikon vetëm drejt Tij. Ah, sikur dikush të ma kishte thënë këtë më parë: “Besoji Krishtit dhe do të jesh i shpëtuar.”[2]
Dhe ndërsa kthehesha në shtëpi dhe binte borë akoma më dukej sikur çdo flokë bore fliste me mua dhe më thoshte për faljen që kisha gjetur, sepse isha po aq i bardhë sa bora me anë të hirit të Perëndisë.
Mbasi u ktheva në shtëpi pamja ime e shtyu nënën time të thërriste, “diçka e mrekullueshme të ka ndodhur.”
Teologjia e tij, Jezu Krishti
Ai konsiderohej nga kritikët apo kundërshtarët e tij si në krahun kalvinist ashtu edhe në atë arminian si i ashtuquajtur kalvinist apo i ashtuquajtur arminian pasi që të dy krahët e akuzonin se nuk ishte kalvinist mjaftueshëm dhe as arminian mjaftueshëm. Ndërsa Spurgeon ishte tejet i rrahur me librat e puritanëve dhe ishte qartësisht kalvinist në teologjinë e tij, të paktën në pikat kryesore të Kalvinizmit ose të doktrinave të hirit, teologjia e tij ishte vetë Jezusi dhe Fjala e Perëndisë.
Nuk ka shpirt që jeton që shtrëngon më me forcë se unë doktrinat e hirit dhe nëse ndonjë njeri më pyet nëse kam turp të quhem kalvinist, përgjigjem— nuk dëshiroj të quhem asgjë tjetër përveçse i krishterë, por nëse më pyet, a kam pikëpamjet doktrinale që ishin ato të Gjon Kalvinit , përgjigjem, po, në pikat kryesore të tyre dhe gëzohem ta pohoj këtë gjë. Por larg qoftë prej meje madje edhe të marr me mend se Sioni përmban veçse të krishterë kalvinistë përbrenda mureve të tij, ose se askush që nuk mban pikëpamjet tona nuk është i shpëtuar.[3]
Po ashtu Spurgeon thoshte:
Kurrë nuk kam turp të pohoj për veten time se jam kalvinist; nuk hezitoj të njihem me emrin baptist, por nëse do të më pyesnin për kredon time, përgjigjem, “Është Jezu Krishti”. Diku tjetër ai thotë, “Jezusi është e Vërteta. Ne besojmë te Ai—jo thjesht në fjalët e Tij. Ai Vetë është Mjeku dhe Doktrina, Zbuluesi dhe Zbulesa, Ndriçuesi dhe Drita e Njerëzve. Ai është i lartësuar në çdo Fjalë të së Vërtetës, sepse Ai është përmbledhja dhe thelbi. Ai ulet mbi Ungjillin, si një princ në vetë fronin e Tij. Doktrina është shumë e çmuar kur ne e shikojmë atë të distiluar prej buzëve të Tij dhe të mishëruar në Personin e Tij.[4]
Ndërkohë ai në vazhdimësi paralajmëronte dëgjuesit që ta merrnin a pranonin këtë teologji me gjithë gjallërinë e saj të përbrendshme. Ja si shprehet ai te një shkrim i quajtur “Rezervuari i Mrekullueshëm,”
Kështu ne e vlerësojmë kalvinizmin; jo dhe aq për logjikën e tij homogjene, madhështinë e tij të mahnitshme, përftimet e tij sublime dhe rrezen e tij të gjerë, sa për ungjillin e shpëtimit tonë që e ka derdhur jashtë prej thellësisë së tij për furnizimin e nevojave njerëzore. Rrëfyesit e tij le të tregojnë kujdes që të mos bëhet për ta doktrinë e thatë, boshe, e zbrazët dhe djerrë, por le ta marrin atë në plotësinë e tij shpirtërore dhe energjinë e tij hyjnore dhe ata kurrë nuk do të skuqen të pranojnë në çdo shoqëri se besimi i tyre është i lidhur me të. Kredoja jonë nuk është pjellë e imagjinatës, as krijim i përkohshëm; është e denjë për gjeniun më fisnik, edhe pse e shkoqur mjaftueshëm për t’u kuptuar prej njeriut më të thjeshtë. Është si sublime ashtu edhe e thjeshtë sepse është e vërteta.[5]
Teologjia e Spurgeon ishte tejet e ndikuar nga trashëgimia puritane në Angli. Spurgeon kishte një bibliotekë gjigande (mbi 12,000 libra) ku shumë nga librat ishin libra puritanë dhe që në vogëli ai ishte një lexues i jashtëzakonshëm për nga sasia e librave të lexuar dhe për nga kujtesa e tij shumë e fuqishme. Spurgeon gjithsesi nuk vinte vetë nga një familje puritane ose a traditës kalviniste dhe teologjia e tij ishte pra më shumë një zgjedhje e tij personale se sa e trashëguar nga familja.
Spurgeon mori nga shkrimet e Puritanëve tre gjëra kryesore, një teologji rigoroze, spiritualitet të ngrohtë dhe aspektin praktik të përditshëm në çdo fushë të jetës.
Pra si përfundim mund të themi se teologjia e tij ishte një teologji biblike, shpirtërore dhe jo krejtësisht sistematike.
Predikimi i tij, për Jezu Krishtin
Spurgeon u bë pastor në moshën 17 vjeçare dhe në moshën 19 vjeçare u bë pastor i një kishe shumë të njohur në Londër të quajtur New Park Street Chapel që më vonë mbasi u ndërtua një ndërtesë e re dhe shumë më e madhe (me një kapacitet mbi 5000 veta) u quajt Metropolitan Tabernacle. Spurgeon shërbeu si pastor i kësaj kishe për 38 vite me radhë nga viti 1854 deri në vdekjen e tij në 1892.
Predikimet e tij arrijnë deri në 63 volume dhe sipas disa përllogaritjeve vlerësohet se gjatë jetës së tij Spurgeon mund t’i ketë predikuar gjithsej 10 milionë njerëzve.
Kur ai erdhi si pastor në Kishën New Park Street, kisha kishte 232 anëtarë; 38 vite më vonë kishte 5,311 anëtarë. Gjithsej 14,460 njerëz iu shtuan kishës gjatë shërbesës së Spurgeon.
Forca, gjallëria thellimet shpirtërore të teologjisë së tij dalin në pah më qartë dhe më drejtpërsëdrejti mbi të gjitha nga predikimet e tij. Dhe në fakt predikimi ishte pjesa më efikase dhe më e fuqishme në jetën dhe shërbesën e Spurgeon[6]; predikimet e tij të famshme ishin plot dritë, ngrohtësi dhe fuqi. Qasja ndaj predikimit me vetë fjalët e Spurgeon ishte shumë e thjesht e drejtpërdrejt dhe e qartë,
marr tekstin dhe heq një vijë të drejtë për te kryqi
dhe kjo vërtetohet lehtë nga përmbajtja e predikimeve dhe shkrimeve të tij. Spurgeon ishte një komunikues gjenial duke përdorur një gjuhë a të folur popullore, dramatike, shumë elokuente dhe duke pasur një zë tejet të fuqishëm dhe të veçantë. Elokuenca dhe e folura e tij e kuptueshme për masat ishte një faktor i fuqishëm që turma njerëzish të vinin ta dëgjonin. Perëndia e kishte pajisur po ashtu me një zë të fuqishëm dhe tonik, të tillë sa një herë ai foli para 23,654 njerëz, kuptohet, asokohe pa mikrofon. Po ashtu e folura dhe stili emocional dhe dramatik e veçonin në kohën e vet, epokën viktoriane dhe nga shumë pastorë a shërbenjës të tjerë të asaj kohe. Ai e kishte për zakon para se të dobësohej nga sëmundja, t’i binte platformës së predikimit kryq e tërthor me gjeste dhe shprehi emocionale e dramatike. Përdorte shumë figura letrare dhe humor në predikimet e tij gjë që i bënte predikimet e tij akoma më elokuente dhe tërheqëse. Spurgeon vuri në dispozicion gjithë kulturën e tij të përgjithshme dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme në shërbim vetëm të një qëllimi, cilësisë dhe besnikërisë së predikimit ndaj Fjalës së Perëndisë dhe lavdisë së Perëndisë. Mbi të gjitha predikimet e tij kishin një dimension shpirtëror shumë të thellë.[7]
Ndërkohë nuk mund të anashkalohen kurrsesi dy elementë thelbësorë të suksesit të shërbesës së Spurgeon, lutja dhe ungjillëzimi. Kur njerëzit vinin vizitonin Tabernakullin Metropolitan, Spurgeon do t’i shoqëronte në një sallë lutje në katin nëntokë të ndërtesës ku shiheshin njerëz gjithnjë të ulur në gjunjë duke ndërmjetësuar për kishën dhe Spurgeon do të thoshte, “këtu është motori i kësaj kishe.” Vetë Spurgeon ishte tejet i devotshëm dhe i fuqishëm në lutje aq sa edhe figura të njohura, përfshirë besimtarë të njohur, vinin ta dëgjonin jo vetëm për predikimin, por edhe për lutjet e tij.
Si një ungjilltar i pashoq, asnjëherë nuk mungonin në predikimet e tij thirrjet për jobesimtarët, thirrjet e ngutshme për t’u penduar dhe për të ardhur te Zoti. Thirrjet e tij ishin tejet personale dhe të fuqishme duke besuar fort në të njëjtën kohë në sovranitetin dhe fuqinë shpëtuese të Perëndisë në Jezus Krishtin.
Nëse do të donim të kuptonim ashtu si duhet Spurgeon dhe mbi të gjitha nëse do të donim të ushqeheshim shpirtërisht dhe të rriteshim sipas imazhit të Jezusit, nuk mund të anashkalojmë dot këtë pjesë, pra mbi të gjitha predikimet e tij.
Po ashtu Spurgeon u tregua i qëllimshëm që të përgatiste e të pajiste barinj a pastorë për shërbesë. Ai themeloi një kolegj teologjik që të paktën gjatë jetës së tij trajnoi rreth 900 pastorë dhe që vazhdon deri në ditët e sotme. Në këtë mënyrë Spurgeon në fakt synonte edhe që të përgatiste njerëz që ishin në avangardë të betejës shpirtërore dhe doktrinale kundër modernizmit dhe liberalizmit.
Përfitimet nga shkrimet e tij
Një bari sipas zemrës së Perëndisë
Ezekiel 34: 16, 18-24
16 “Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t`i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t`i kullot me drejtësi.
18 Ju duket gjë e vogël të kullotësh në një kullotë të mirë dhe pastaj të shkelësh me këmbë atë që mbetet nga kullota juaj, ose të pish ujëra të pastra dhe pastaj të turbullosh me këmbë atë që mbetet? 19 Kështu delet e mia duhet të hanë atë që kanë shkelur këmbët tuaja dhe duhet të pijnë atë që kanë turbulluar këmbët tuaja”. 20 Prandaj kështu u thotë atyre Zoti, Zoti: “Ja, unë vetë do të gjykoj midis deles së dhjamur dhe deles së dobët. 21 Duke qenë se ju keni shtyrë me ijë dhe me shpatull dhe u keni rënë me brirë të gjitha deleve të dobëta deri sa i shpërndatë rreth e rrotull, 22 unë do t`i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të bëhen më pre, dhe do të gjykoj midis dele e dele. 23 Do të vendos mbi to një bari të vetëm që do t`i kullosë, shërbëtorin tim David. Ai do t`i kullosë dhe ka për të qenë bariu i tyre. 24 Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre dhe shërbëtori im Davidi do të jetë princ në mes tyre. Unë, Zoti, fola.
Këtu Perëndia qorton fort barinjtë a drejtuesit abuzues dhe egoistë dhe ndër të tjera flet për një bari besnik që është sipas zemrës së Perëndisë (siç thuhej për Davidin që është dhe një tip i Krishtit). Në përvojën time dhe aq sa i njoh shkrimet dhe predikimet e Spurgeon, jetën dhe shërbesën e tij, të mirat që kam pasur dhe me qindra mijëra të tjerë kanë pasur nga shkrimet dhe predikimet e tij, ky pastor a bari është pikërisht nga ata barinj ekzemplarë sipas zemrës së Perëndisë. Nga ata barinj që njësoj sipas zemrës dhe veprimeve të Perëndisë, kërkon të humburën, kthen të hutuarën, lidh plagën, forcon të sëmurën e kullot me drejtësi. Nga ata barinj që kullosin vetë në kullotë të mirë dhe pinë ujëra të pastra dhe më pas i shërbejnë me kullotën e mirë dhe ujërat e pastër të tjerëve përreth. Ushqimi pra që një besimtar do të gjente te predikimet dhe shkrimet e Spurgeon është i cilësisë së parë dhe si rrjedhim, përfitimet shpirtërore do të jenë tepër të mëdha, inkurajimi dhe nxitja shumë e fuqishme për të ecur përpara në Zotin. Ky inkurajim dhe nxitje shpirtërore është kaq e fuqishme sa duket sikur Zoti e ka përdorur njësoj sikur të kishte të paktën një fjalë a predikim inkurajimi dhe mbështetje për çdo besimtar; duke u bazuar te vetë një nga thëniet më të famshme të Spurgeon, “me anë të këmbëngulës kërmilli arriti deri te arka,” nëse çdo besimtar do të përfaqësonte një krijesë që hyri në arkën e Noeut a vetë kërmillin, duket sikur Spurgeon nxit dhe zhvillon pikërisht ato cilësi a karakteristika shpirtërore që e çon një njeri deri te Jezusi, arka e shpëtimit dhe e ruan, e mban dhe e rrit dhe e ushqen aty deri në ditën e fundit, ashtu si edhe cilësia e këmbënguljes e çoi kërmillin deri te arka e Noeut.
Spurgeon njihet për zemrën e tij edhe për shkak të jetimoreve që themeloi. Duke qenë se edhe problemet sociale në Londrën e asokohe ishin në rritje Spurgeon shprehej se ai dhe kisha e tij ishin të vendosur
ta shfaqnin dashurinë e tyre për të vërtetën me dashuri të vërtetë.
Në fund të vitit 1867 ishin hapur tashmë 4 shtëpi fëmije për djem dhe 5 shtëpi fëmije për vajza deri në vitet 1880.
Një predikues tejet i balancuar
Mbetet një nga predikuesit që ka një nga balancat më të shkëlqyera për sa i përket doktrinave biblike, përfshirë ato të konsideruara më të vështirat a më të ndërlikuarat a më të pakuptueshme a më të papajtueshmet. Nëse Spurgeon ka thënë një herë se doktrina e sovranitetit të Perëndisë dhe ajo e përgjegjësisë njerëzore janë si dy drejtëza paralele që e kanë pikëtakimin në fronin e Perëndisë, ai mbetet ndër ata të rrallë predikues që i ka afruar më shumë e më mirë këto dy drejtëza. Ndërsa shumë predikues shpirtërisht ngrinin pesha dhe vendosnin barra te njerëzit me në një krah 10 kg dhe në tjetrin 50 kg, duket se Spurgeon ka qenë ndër ata të rrallët që përdornin për veten dhe të tjerët masa të drejtpeshuara. Edhe ata që në dukje e arrinin këtë gjë, shpejt dilnin në pah kontradikta të thella. Edhe pse Spurgeon qartazi shprehej se edhe pse nuk mund t’i kuptojmë dot plotësisht këto dy doktrina që duken në pamje të parë si kundërshtuese me njëra tjetrën dhe se duhet t’i besojmë që të dyja, ai prapëseprapë me predikimet e tij ndihmon shumë besimtarët për t’i parë në mënyrë sa më harmonike teologjikisht, biblikisht dhe në aspektin praktik në çdo fushë të jetës.
Duke qenë një predikues i tillë, sipas zemrës së Perëndisë dhe tejet i balancuar, Spurgeon natyrshëm mbetet një nga më të cituarit mes të krishterëve dhe jo vetëm mes ungjillorëve a protestantëve. Predikuesi tjetër shumë i njohur Mood-i, mbasi lexoi për njëzet vjet me radhë predikimet e Spurgeon tha,
nëse Perëndia e përdor Spurgeon, pse jo ne?
Qasja ndaj shkencës dhe evolucionit
Është me shumë vlerë po ashtu të konsiderojmë qasjen dhe mendimin e Spurgeon mbi shkencën dhe evolucionin e ballafaquar ose nën dritën e Shkrimit. Së pari, në lidhje me shkencën, ai qartësisht dhe fuqimisht vendos epërsinë e Shkrimit mbi shkencën duke theksuar se çdo fakt i provuar shkencërisht nuk mund të jetë në mospërputhje me Fjalën e Perëndisë. Po ashtu vë në dukje se Shkrimi i ballafaquar me shkencën ose në vetvete nuk ka nevojë për mbrojtje si dhe shpesh herë përpjekjet për ta mbrojtur bëhen nga njerëz jo gjithmonë të kualifikuar. Së dyti, më në veçanti mbi evolucionin ai e hedh poshtë me autoritetin e Shkrimit. Spurgeon ishte 25 vjeç kur Darvini publikoi veprën e tij të famshme “Origjina e Specieve.”
Ja çfarë thotë Spurgeon mbi shkencën:
Po dëgjoj dikë që po thotë: “Por megjithatë ti duhet t’i nënshtrohesh konkluzioneve të shkencës”? Askush nuk është më i gatshëm sesa ne për të pranuar faktet evidente të shkencës. Por çfarë nënkuptohet me fjalën shkencë? A është ajo që quhet “shkencë” e pagabueshme? A nuk është quajtur kështu shkenca pa të drejtë? Historia e asaj injorance njerëzore që e quan veten “filozofi” është tërësisht identike me historinë e budallenjve, përveçse në rastin kur devijon në marrëzi. Nëse një Erasmus tjetër do të ngrihej dhe të shkruante historinë e marrëzisë, ai duhej t’i kushtonte disa kapituj filozofisë dhe shkencës dhe ata kapituj do të ishin më domethënës sesa të tjerët.
Asnjë fakt natyror që është provuar shkencërisht, nuk është kundër zbulesës. Spekulimet e bukura të ëndërrimtarëve, nuk mund t’i pajtojmë me Biblën dhe nuk do ta bënim edhe po të mundnim.
Pjesa e fantazuar e shkencës, kaq e shtrenjtë për shumë njerëz, është ajo çfarë ne nuk e pranojmë. Kjo është pjesa e rëndësishme e shkencës për shumë njerëz – ajo pjesë që është thjesht një hamendje, për të cilët hamendësuesit luftojnë me mish e me shpirt. Mitologjia e shkencës është po aq e rreme sa edhe mitologjia e paganëve, mirëpo kjo gjë shndërrohet në një perëndi. E them sërish, për sa i takon fakteve, shkenca nuk është kurrë në konflikt me të vërtetat e Shkrimit të Shenjtë, por konkluzionet e nxituara të nxjerra nga ato fakte dhe trillimet e klasifikuara si fakte, janë në kundërshtim me Shkrimin dhe domosdo kështu është, sepse gënjeshtrat nuk përputhen me të vërtetën.
Dy lloj njerëzish kanë kryer dëme të mëdha dhe megjithatë asnjëri prej tyre nuk vlen të konsiderohet si gjykatës kompetent në këtë çështje: që të dy janë të pakualifikuar. Është e rëndësishme që një arbitër të njohë të dy anët e çështjes dhe asnjë prej këtyre nuk i njeh të dy anët. I pari është shkencëtari jobesimtar (çfarë di ai vallë rreth besimit çfarë mund të dijë vallë? Ai është jashtë teme kur bëhet pyetja – A përputhet shkenca me besimin? Është e qartë se ai që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje duhet t’i njohë të dyja çështjet në fjalë.
I dyti është njeriu më i mirë, por i zoti për më tepër dëm akoma. E kam fjalën për të krishterin joshkencor, i cili e vret mendjen për ta përputhur Biblën me shkencën. Ai më mirë ta lërë këtë gjë, se sa ta bëjë punën shkel e shko. Gabimi që këta njerëz kanë bërë është se kur janë përpjekur të zgjidhin një vështirësi, ata kanë shtrembëruar ose Biblën, ose Shkencën. Është kuptuar shpejt se zgjidhja e parashtruar ka qenë e gabuar dhe ja menjëherë është dëgjuar thirrja se Shkrimi është mposhtur. Aspak, aspak. Shkrimit vetëm sa i është hequr një koment i kotë.[8]
Ja çfarë thotë Spurgeon mbi evolucionin:
Nëse Fjala e Perëndisë është e vërtetë, evolucioni është një gënjeshtër.
Diku tjetër ai thotë,
Kjo epokë po shkon keq e më keq dhe njeriu, me anë të procesit të evolucionit, po evoluon në një djall.
Siç shihet qartë, për Spurgeon ishte e pakonceptueshme dhe absurde të pajtoje nga një anë mësimin e Shkrimit se njeriu është krijuar sipas imazhit të Perëndisë me mësimin e Darvinit mbi evolucionin dhe e quajti këtë të fundit një iluzion a mashtrim popullor.
Këshillues biblik
Siç e përmenda dhe më lart, vetë Spurgeon thoshte se qasja e tij ndaj predikimit është e thjeshtë, “marr tekstin dhe heq një vijë të drejtë nga teksti te Krishti”. Po ashtu Spurgeon ishte një nga njohësit më të mirë të natyrës njerëzore si totalisht të korruptuar dhe predikonte fort dhe me entuziazëm se Perëndia në Jezus Krishtin mund të transformojë jetët njerëzore.
Përmirësimeve dhe pastrimeve të njeriut shpejt u vjen fundi, sepse qeni kthehet tek ajo që ka vjellë, por kur Perëndia vë një zemër të re përbrenda nesh, zemra e re është atje përherë dhe kurrë nuk do të kthehet më në gur sërish. Ai që e bëri atë zemër prej mishi, do ta mbajë ashtu. Këtu, ne mund të gëzohemi dhe të jemi të lumtur përherë në atë që Perëndia krijon në mbretërinë e hirit të Tij.
Kam parë me vetë sytë e mi ndryshime të tilla të mrekullueshme me karakter shpirtëror dhe moral që më bëjnë të mos humb shpresat për askënd. Do të mundja, nëse do të ishte e përshtatshme, të tregoj ato që një herë ishin gra të ndyra që janë tani të pastra si bora e mbledhur grumbuj-grumbuj dhe burra blasfemues që tani kënaqin njerëzit rreth e përqark tyre me përkushtim të madh. Hajdutët janë bërë të ndershëm, pijanecët të përkorë, gënjeshtarët të sinqertë dhe tallësit të zellshëm. Kudo që hiri i Perëndisë i është shfaqur njeriut e ka shtyrë atë të mohojë paperëndishmërisë dhe epshet e botës dhe të jetojë me maturi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë botë të ligë të tashme; dhe lexues i shtrenjtë, të njëjtën gjë do të bëjë për ty.[9]
Ka arsye të tjera të forta që e bën Spurgeon dhe shkrimet e tij të gëlojnë me këshilla praktike biblike, së pari Spurgeon ishte një familjar, i martuar dhe kishte dy fëmijë dhe së dyti ai vetë personalisht ka vuajtur nga sëmundje, depresion, sulme të ndryshme, shpifje dhe tallje.
Spurgeon vuante nga sëmundje të ndryshme, përdhesi (lloj artriti) si dhe inflamacion kronik veshkash. Ai vuante në atë pikë sa ka pasur momente në jetën e tij kur nuk flinte më shumë se 1 orë gjumë apo qëndronte për shkak të dhembjeve shtrirë veç në një anë a një pozicion të caktuar. Mes këtyre vuajtjeve dhe dhimbjeve, sipas dhe vetë dëshmisë së tij ai ka përjetuar hirin dhe gëzimin e Perëndisë.
Depresioni ka qenë ndoshta gjembi kryesor në ijën e Spurgeon. Sado që duket e habitshme ndërsa e njohim si Princi i Predikuesve, ndoshta pikërisht si i tillë, Perëndia lejoi këtë gjemb në jetën e tij, duke i thënë në një farë mënyre ashtu si Palit,
Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.
Në moshën 22 vjeç sipas dhe dëshmisë së bashkëshortes Suzana, duket se Spurgeon mori goditjen e parë mbasi po i predikonte një turme të madhe në Surrey Gardens Music Hall dhe gjatë predikimit, disa njerëz dashakeq kurdisën një rreng të rëndë dhe thirrën “zjarr” duke përhapur panik që i kushtoi jetën 7 vetave dhe plagosi rëndë 28 të tjerë. Kjo ngjarje e tronditi mjaft rëndë. Po ashtu filluan simptomat e para të sëmundjeve të tij që në moshën 33 vjeç pa përmendur këtu punën e tij kolosale, kundërshtarët etj. Depresioni pra e shoqëroi Spurgeon praktikisht gjatë gjithë shërbesës së tij, mirëpo e pa dhe e ndau me të tjerët gjatë mesazheve të tij si krejtësisht brenda qëllimeve dhe planit të Perëndisë. [10]
Si i tillë pra Spurgeon me shkrimet e tij është një këshillues biblik i jashtëzakonshëm për çdo problem a sfidë që mund të hasim në jetë, individualisht, në familje, në punë kudo dhe në çdo rrethanë.
Sulme dhe kritika
Këto nuk kanë munguar dhe kanë qenë të shumta madje deri në ditët e sotme. Ato renditen nga ato më legalistet dhe mendjeshkurtrat që dëgjojmë herë pas here në kohën tonë si psh, “Spurgeon pinte duhan,” “Spurgeon gjendet në ferr, sepse pinte duhan,” te ato më strategjiket, shpirtëroret a doktrinalet si psh, Polemika e Degradimit ku ai u përfshi fuqimisht në vitet e fundit të jetës së tij. Në vitet 1887-88 ishte kulmi i asaj që njihet si Polemika e Degradimit (the Downgrade Controversy) ku Spurgeon u përfshi drejtpërsëdrejti kundër atyre teologë, shkollarë e pastorë liberalë (të quajtur Degradues) që po zhvlerësonin dhe po largoheshin gradualisht nga doktrinat themelore të ungjillit, si p.sh, hyjnia e Jezusit, pagabueshmëria dhe frymëzimi i Fjalës, shlyerja zëvendësuese e Jezusit për njerëzit, etj. Nga shumë autorë dhe nga njerëz të afërt gjatë jetës së tij, përfshirë vetë gruan e tij, konsiderohet si beteja më e hidhur e jetës së tij që e preku shumë, duke ndikuar madje edhe në përkeqësimin e shëndetit të tij të brishtë. Ishte një betejë kundër liberalizmit ku Spurgeon-it iu kundërvunë edhe miq të tij. Një nga Shkrimet e tij, “Beteja më e madhe në botë” drejtuar pastorëve të rinj ka në sfond pikërisht këtë polemikë dhe ka ngjyrime të një pamfleti të fuqishëm kundër pikërisht këtyre autorëve a pastorëve liberalë apo “Degraduesve” dhe duket qartë se në fakt beteja është në radhë të parë shpirtërore e më pas teologjike-biblike.
Spurgeon shkruan
Predikuesit tanë ungjillorë gjejnë shumë gëzim kur parashtrojnë atë që miqtë tanë liberalë me kënaqësi i quajnë “klishetë” e ungjillorëve, por modernistët në urtësinë e tyre nuk ndjejnë një gëzim të tillë. A mund ta përfytyroni dot një Degradues që i ndrin fytyra?
Sa budallenj të gjorë jemi që predikojmë akoma ungjillin tonë “të vjetruar”! Na pëlqen me të vërtetë kjo gjë. Doktrinat tona të zymta na bëjnë shumë të lumtur. E çuditshme, apo jo? Ungjilli është qartësisht mish dhe dhjamë për ne dhe kredot tona – edhe pse sigurisht, janë absurde dhe jofilozofike – na kënaqin dhe na bëjnë shumë të sigurt dhe të lumtur. Mund të them për disa nga vëllezërit, se edhe sytë e tyre duket se shkëlqejnë dhe shpirtrat e tyre ndrijnë, kur flasin gjerë e gjatë për hirin falas dhe dashurinë deri në vdekje.
Por neve na thuhet se duhet të heqim dorë nga një pjesë e teologjisë sonë të vjetruar për të shpëtuar pjesën tjetër. Ne jemi në një karrocë që udhëton nëpër stepat e Rusisë. Kuajt po vrapojnë me furi, por ujqërit na janë afruar! A nuk i shihni vallë sytë e tyre zjarr? Rreziku është shumë pranë. Çfarë duhet të bëjmë? Sugjerohet aty për aty që të hedhim një fëmijë ose dy. Ndërsa ata hanë foshnjën, kemi përparuar pak më tej, por nëse do të na arrinin sërish, çfarë do të bënim atëherë? Si kështu o trim, na hidh gruan tënde tani! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij”; hiqni dorë thuajse nga çdo e vërtetë me shpresën që të shpëtoni veç një. Hidhni frymëzimin dhe i lini kritikët ta gllabërojnë. Hidhni zgjedhjen dhe gjithë kalvinizmin e vjetër; këtu do të bëhej një festë e madhe për ujqërit dhe zotërinjtë që na japin këshillën e urtë do të ngazëlloheshin duke parë doktrinat e hirit të shqyera gjymtyrë pas gjymtyre. Hidhni tej të vërtetën e zvetënimit tërësor, e ndëshkimit të përjetshëm dhe të efikasitetit të lutjes. Në këtë mënyrë e kemi lehtësuar goxha karrocën. Mirëpo tani duhet hedhur edhe diçka tjetër. Flijoni flijimin e madh! E pat edhe shlyerja! Vëllezër, kjo këshillë është e ligë dhe vrastare; ne do të shpëtojmë nga këta ujqër me gjithçka që kemi ose përndryshe do të humbasim vetë me gjithçka që kemi. Do të jetë pra “e vërteta, gjithë e vërteta, dhe asgjë veç së vërtetës” ose asgjë e tillë. Ne nuk do të përpiqemi asnjëherë që të shpëtojmë gjysmën e së vërtetës duke hedhur tej ndonjë pjesë të saj.[11]
Mbyllje
Në fund fare pra, le t’i shërbejë ky mesazh mbi jetën dhe shërbesën e Spurgeon një nga qëllimeve të tij kryesore që është që kureshtja jonë shpirtërore dhe intelektuale të ngacmohet dhe të mos themi për Spurgeon dhe shkrimet e tij, “Spurgeon, një autor që njerëzit e përlëvdojnë dhe nuk e lexojnë,” ose “shkrimet e Spurgeon, shkrime që njerëzit i lëvdojnë shumë, por nuk e lexojnë.”[12] Përkundrazi realisht ta lexojmë dhe ta lexojmë jo si fëmijët e lexojnë, për t’u argëtuar, ose si ambiciozët, për të rritur njohurinë e tyre, jo, por ta lexojmë për të jetuar[13] dhe mbasi ta lexojmë të mbushemi me një zell ungjillor dhe të bëhemi të bindur se bota nuk do të kthehet më ashtu si duhet nëse njerëzit nuk e lexojnë dhe derisa njerëzit ta lexojnë.[14] Mbasi kureshtja jonë shpirtërore të ngacmohet dhe të lexojmë duke përfituar nga shkrimet e tij atëherë kemi hedhur disa hapa të sigurt drejt mirëushqyerjes, mirërritjes dhe mirëqenies shpirtërore.
© spurgeonshqip.org
Burime:
- https://www.spurgeon.org/resource-library/blog-entries/spurgeons-evangelistic-confidence
- https://www.spurgeon.org/resource-library/blog-entries/darwinian-evolution-and-charles-spurgeon
- https://www.crossway.org/articles/did-you-know-that-charles-spurgeon-struggled-with-depression/
- https://www.desiringgod.org/messages/charles-spurgeon-preaching-through-adversity
- https://christianhistoryinstitute.org/magazine/issue/charles-spurgeon-englands-prince-of-preachers
- http://spurgeonshqip.org/beteja-me-e-madhe-ne-bote/
- http://spurgeonshqip.org/e-verteta-e-vjeter/
- http://spurgeonshqip.org/gjithcka-prej-hirit/
- http://spurgeonshqip.org/shpetimi-i-carls-sperxhen/
[1] http://spurgeonshqip.org/shpetimi-i-carls-sperxhen/
[2] http://spurgeonshqip.org/shpetimi-i-carls-sperxhen/
[3] http://spurgeonshqip.org/e-verteta-e-vjeter
[4] http://spurgeonshqip.org/e-verteta-e-vjeter
[5] http://spurgeonshqip.org/e-verteta-e-vjeter
[6] https://www.desiringgod.org/messages/charles-spurgeon-preaching-through-adversity
[7] https://christianhistoryinstitute.org/magazine/issue/charles-spurgeon-englands-prince-of-preachers
[8] http://spurgeonshqip.org/beteja-me-e-madhe-ne-bote/
[9] http://spurgeonshqip.org/gjithcka-prej-hirit/
[10] https://www.crossway.org/articles/did-you-know-that-charles-spurgeon-struggled-with-depression/
[11] http://spurgeonshqip.org/beteja-me-e-madhe-ne-bote/
[12] Përshtatur nga një thënie e Mark Twain
[13] Përshtatur nga një shprehje e Flaubert
[14] Përshtatur nga një thënie e John Green