Mishërimi i Krishtit, themeli i Krishtërimit.
Charles Spurgeon #spurgeonshqip
Kënga e Engjëjve, nota hapëse.
“LAVDI Perëndisë në vendet më të larta.” Lluka 2:14.
Kënga e Engjëjve, strofa vijuese.
Ungjilli i Hirit të Perëndisë i premton paqe çdo njeriu që e pranon.
Kënga e Engjëjve, nota përfundimtare.
“Mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij.” Lluka 2:14.
Emri i Jezusit vënë nga Perëndia.
EMRI I JEZUSIT, I ÇMUAR NGA NJERËZIT E TIJ.
EMRI I JEZUSIT I ZAKONSHËM, MEGJITHATË UNIK.
EMRI I KRISHTIT TREGON PUNËN E TIJ.
MISHËRIMI I KRISHTIT, NË KOHËN E DUHUR.
MISHËRIMI I KRISHTIT, SHUAN FRIKËN.
MISHËRIMI I KRISHTIT, NGAZËLLUES DHE PERSONAL.
Mishërimi i Krishtit, Çudia e Engjëjve.
Mishërimi i Krishtit, Habia e të Vdekshmëve.
EMANUEL “PERËNDIA ME NE”.
“PERËNDIA ME NE” BEGENISJE E PAKRAHASUESHME.
“PERËNDIA ME NE” MISTERI I MISTEREVE.
“Perëndia me ne,” Ura lidhëse e humnerës së madhe.
“Perëndia me ne” në të gjitha situatat.
Perëndia – Njeri, Krishti Jezus.
Perëndia – Njeri, Mrekulli e Fuqisë dhe Dashurisë.
E gjithë plotësia në Perëndinë – njeri.
Krishti i Mishëruar, Njohuria e Tij mbi mëkatin.
Krishti i Mishëruar, Shpresa e Vetme e Mëkatarit.
Krishti i Mishëruar, Garancia e Çlirimit.
Mishërimi i Krishtit, Zemra e Ungjillit.
Mishërimi dhe Birëria jonë.
Mishërimi, Lavdia e Tij.
Dijetarët dhe Mishërimi.
Çfarë na mësojnë dijetarët?
Mishërimi, shkaku i shqetësimit.
Mishërimi, burim gëzimi gjithashtu.
Mishërimi, sipas profecisë.
Varfërimi i Krishtit, pasurimi ynë.
Trupi i Krishtit i përgatitur hyjnisht.
Jezu Krishti, Lajmëtar i Vetvetes.
Jezu Krishti, “Plot hir e të vërtetë”.
Plotësia e Krishtit, marrë nga Njerëzit e Tij.
Vend për Krishtin Jezus.
Dy shfaqjet e Krishtit.
Kënga e Engjëjve, nota hapëse.
“LAVDI Perëndisë në vendet më të larta.” Lluka 2:14
Mësimi domethënës që mund të nxirret nga kjo notë hapëse e këngës së engjëjve është se shpëtimi është lavdia më e madhe e Perëndisë. Ai përlëvdohet në çdo pikë vese që ndrit nën diellin e mëngjesit. Ai lartësohet nga çdo lule në zabel, edhe kur çelin larg syrit njerëzor dhe mund të duket sikur humbasin bukurinë e vet në ajrin e pyllit. Perëndia përlëvdohet nga çdo zog që cicëron në pemë dhe nga çdo qengj që blegëron në fusha. A nuk e përlëvdojnë vallë peshqit në det?
Nga më i vogli peshk deri tek Leviathani i madh, a nuk e lavdërojnë dhe madhërojnë emrin e Tij të gjitha krijesat që notojnë në ujë? A nuk e lartëson Atë vallë gjithë krijimi? A ka ndonjë gjë tjetër, përveç njeriut, që nuk e përlëvdon Perëndinë? A nuk e lartësojnë yjet, kur ata shkruajnë emrin e Tij me shkronja të arta në kaltërsinë e qiellit? A nuk e adhurojnë shkreptimat, kur vetëtijnë shkëlqimin e Tij në shigjeta drite që çajnë errësirën e mesnatës? A nuk e lartësojnë gjëmimet kur bien si daullet në marshimin e ushtrive të Perëndisë. A nuk e lartësojnë Atë të gjitha gjërat që Ai ka bërë, nga më të voglat deri madje tek më të mëdhatë?
Këndo, këndo o Univers, derisa të rraskapitesh, megjithatë nuk mund t’ia kalosh dot një himni aq të ëmbël sa kënga e Mishërimit! Megjithëse krijimi mund të jetë një organo madhështore lavdërimi, nuk mund të arrijë dot madhështinë e kantikut të artë, Mishërimit! Ka më shumë melodi në Jezusin në grazhd, sesa në tërë simfoninë sublime të Krijimit. Ka më shumë madhështi në këngën që lajmëron lindjen e Foshnjës së Betlehemit sesa në botët që rrotullohen pa reshtur dhe në heshtje madhështore para fronit të Shumë të Lartit.
Ndalo, lexues, për një minutë dhe konsidero këtë të vërtetë të madhe. Shiko se si secili nga atributet Hyjnore madhërohet. Hapi sytë dhe shiko se çfarë urtësie ka këtu. I Përjetshmi bëhet njeri, në mënyrë që Perëndia të jetë i drejtë dhe në të njëjtën kohë Shfajësues i atij që beson në Jezusin. Çfarë fuqie që ka gjithashtu këtu, sepse ku ka fuqi më të madhe, sesa ajo që e fsheh veten? Çfarë fuqie vërtet që Perëndia të zhvishet nga pushteti i Tij për ca kohë dhe të bëhet njeri!
Vini re gjithashtu çfarë dashurie që na është zbuluar kur Jezusi bëhet njeri dhe çfarë besnikërie! Sa shumë premtime dhe profeci që janë përmbushur këtë ditë! Sa shumë detyrime solemne që janë larë në këtë orë! Më thuaj një atribut të Perëndisë që ti mendon se nuk shfaqet në Jezusin dhe për mua padituria jote do të jetë arsyeja se pse nuk e ke vënë re një gjë të tillë.
Gjithçka e Perëndisë është përlëvduar në Krishtin dhe megjithëse ca pjesë të Emrit të Perëndisë janë shkruar në universin material, ky Emër lexohet më mirë në Atë që ishte Biri i njeriut dhe gjithashtu Biri i Perëndisë.
Kënga e Engjëjve, strofa vijuese.
Ungjilli i Hirit të Perëndisë i premton paqe çdo njeriu që e pranon.
“LAVDI Perëndisë në vendet më të larta,” ishte një këngë e vjetër, vërtet e vjetër e engjëjve. Ata e kishin kënduar atë melodi para themelimit të botës. Por tani ata e kënduan sikur të ishte një këngë e re para fronit të Perëndisë dhe për veshët e njerëzve të vdekshëm, sepse shtuan këtë strofë, “paqe mbi tokë për njerëzit”. Ata nuk e kënduan në kopshtin e Edenit. Atje kishte paqe, prandaj dukej si diçka e mirëqenë dhe e panevojshme të përmendej në këngën e tyre. Atje kishte më shumë se paqe, sepse atje ishte gjithashtu lavdia e Perëndisë.
Por njeriu ra në mëkat dhe që nga ajo ditë kur Perëndia i përzuri nga Edeni dhe vuri kerubinin me një shpatë zjarri që flakëronte në çdo drejtim për t’i mbajtur larg nga pema e jetës, nuk ka pasur paqe mbi tokë, përveç se në kraharorin e besimtarëve, të cilët e kishin marrë paqen e zemrës dhe të ndërgjegjes pikërisht nga premtimi i Mishërimit të Krishtit. Luftërat patën vërshuar në çdo cep të botës. Njerëzit patën therur njeri – tjetrin me pirgje. Ka pasur luftëra përbrenda dhe beteja së jashtmi. Ndërgjegjja pati luftuar me njeriun dhe Satani e pati torturuar me mendime mëkatare. Nuk ka pasur paqe në tokë që nga koha kur Adami ra në mëkat.
Por tani kur u shfaq Mbreti i porsalindur, pelena me të cilën Ai ishte mbështjellë, ishte flamuri i bardhë i paqes. Ai grazhd ishte vendi ku u nënshkrua marrëveshja e paqes, sipas së cilës lufta midis ndërgjegjes së njeriut dhe vetes së tij, ndërgjegjes së njeriut dhe Perëndisë duhet të përfundojë. Pastaj buçiti trumbeta e lajmëtarit qiellor dhe u bë shpallja hyjnore: “Fute shpatën në brez, o njeri, fute shpatën në brez, o ndërgjegje, sepse Perëndia ka siguruar një mënyrë me anë të cilës Ai mund të jetë në paqe me njeriun dhe me anë të cilës njeriu mund të jetë në paqe me Perëndinë dhe me vetë ndërgjegjen e tij”.
Ungjilli i Hirit të Perëndisë i premton paqe çdo njeriu që e pranon. Ku tjetër mund të gjendet paqja, përveç se në mesazhin e Jezusit? Dhe o çfarë paqeje që është ajo! Është si një lumë dhe drejtësia e saj është si dallgët e detit. Është “paqja e Perëndisë që tejkalon çdo zgjuarsi, do t’i ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:7). Për këtë paqe të shenjtë midis shpirtit të falur dhe Perëndisë, Falësit, për këtë shlyerje të mrekullueshme midis mëkatarit fajtor dhe Gjykatësit të Tij të drejtë, engjëjt kënduan kur thanë “paqe mbi tokë për njerëzit”.
Kënga e Engjëjve, nota përfundimtare
“Mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij.” Lluka 2:14
“Mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij.” Njerëzit e mençur duke parë atë që ka krijuar Perëndia kanë menduar se shumë nga mirëdashja e Perëndisë qëndron mbi njerëzit ose përndryshe veprat e Tij nuk do të ishin krijuar ashtu siç janë, për të mirën e njerëzve. Megjithatë asnjëherë nuk kam dëgjuar që ndonjë njeri të ishte i gatshëm të rrezikonte shpëtimin e shpirtin e tij duke u mbështetur mbi një shpresë kaq të dobët. Mirëpo jo vetëm që kam dëgjuar me mijëra njerëz, por njoh me mijëra të cilët janë mjaft të sigurt që mirëdashja e Perëndisë qëndron mbi njerëzit. Nëse i pyet se cila është arsyeja e sigurisë së tyre, ata do të të japin një përgjigje të plotë dhe të kënaqshme. Ata do të thonë: “Mirëdashja e Perëndisë qëndron mbi njerëzit, sepse Ai dha Birin e Tij të vdiste për ta.”
Nuk ka provë tjetër më të madhe të dashamirësisë të Krijuesit ndaj krijesave të Tij, sesa Krijuesi që jep të Vetëmlindurin e Tij dhe Birin e Tij të dashur të vdesë në vend të mëkatarëve fajtorë. Megjithëse, nota e parë e këngës së engjëjve lartëson Perëndinë dhe megjithëse e dyta është për paqen, kjo e treta ma shkrin më shumë zemrën.
Disa duket sikur e mendojnë Perëndinë si të ishte një qenie e ashpër i Cili urren gjithë njerëzimin. Të tjerët e përfytyrojnë Atë thjesht si diçka abstrakte, i Cili nuk e vret mendjen për punët tona. Por ky mesazh engjëllor na siguron që Perëndia ka “Mirëdashje ndaj njerëzve.” Ju e dini çfarë do të thotë “mirëdashje”. Gjithë domethënia e saj dhe edhe më shumë se kaq është ajo që Perëndia ka për ju bij dhe bija të Adamit.
O Mëkatar i mjerë, megjithëse ke thyer ligjet e Tij, megjithëse je me gjysmë zemre për të shkuar apo mos shkuar tek froni i Tij i mëshirës nga frika se mos Ai të kthen mbrapsht, dëgjo këtë dhe merr zemër, mirëdashja e Perëndisë qëndron mbi njerëzit. Mirëdashja e Tij është aq e madhe saqë Ai tha dhe Ai e tha me betim: “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj”, thotë Zoti, Zoti, “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë”. Mirëdashja e Tij është aq e madhe, saqë për më tepër Ai na ka begenisur duke thënë, “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”
Dhe nëse thua, “Zot nga ta di që mirëdashja jote qëndron mbi mua,” Ai tregon me gisht nga grazhdi dhe thotë, “Mëkatar, nëse nuk do të kisha mirëdashje për ty, a do ta dorëzoja vallë Birin Tim të dashur?” Nëse mirëdashja Ime nuk do të qëndronte mbi racën njerëzore, a do ta kisha dorëzuar Birin Tim të bëhej si një nga ata të asaj race, me qëllim që në këtë mënyrë Ai të mund të shpengonte nga vdekja të gjithë ata që do të besonin tek Ai? Ju që dyshoni dashurinë e Perëndisë për fajtorët, hidheni vështrimin tuaj tutje tek kori i lavdishëm i engjëjve. Shikoni shkëlqimin e lavdisë që ndriçon mesnatën. Dëgjoni këngën e tyre mahnitëse dhe dyshimet tuaja le të vdesin në atë muzikë të ëmbël e të varrosen mbështjellë në rrobën e harmonisë. Kënga e engjëjve na siguron që Perëndia ka mirëdashje ndaj njerëzve. Ai është i gatshëm të falë. Ai lë të kalojë ligësia, shkelja dhe mëkati. Dhe nëse Satani do të përpiqet të fusë dyshime si këto: “Vërtet Perëndia ka mirëdashje ndaj njerëzve, por Ai nuk mund të shkelë drejtësinë e Tij, prandaj mëshira e Tij mund të mos ketë dobi për ty dhe ti mund të vdesësh” atëherë dëgjo notën e parë të këngës së engjëjve, “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta” dhe përgjigju Satanit dhe gjithë tundimeve të tij se kur Perëndia tregon mirëdashje ndaj një mëkatari të penduar, jo vetëm që ka paqe në zemrën dhe ndërgjegjen e mëkatarit, por kjo i sjell lavdi çdo atributi të Perëndisë në mënyrë të tillë që Ai të jetë i drejtë dhe prapë se prapë shfajësues për mëkatarin që beson në Jezusin, duke marrë kështu gjithë lavdinë ndërsa e shpëton mëkatarin.
Emri i Jezusit vënë nga Perëndia
Engjëlli i parë, i cili iu shfaq barinjve, u dha këtë mesazh, “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin. Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Lluka 2:10-11). Fjala “Shpëtimtar” na kujton çfarë i tha engjëlli i Zotit Jozefit, “Mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të, është prej Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe do t’i vësh emrin Jezus, sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:20-21).
Edhe vetë situata e Jozefit kur dëgjoi këtë emër për herë të parë, përmban disa mësime për ne. Engjëlli i foli atij në “ëndërr.” Ai Emër është kaq i butë dhe i ëmbël sa nuk ndërpret pushimin e askujt, por përkundrazi jep një paqe të pakrahasueshme, “paqen e Perëndisë.” Me një ëndërr të tillë, gjumi i Jozefit ishte madje më i bekuar sesa zgjimi i tij.
Emri i Jezusit ka gjithmonë këtë fuqi, sepse për ata që e njohin vlerën e tij, shpalos për ta një lavdi më të shkëlqyeshme sesa vetë ëndrrat. Nën magjepsjen e tij të mahnitshme të rinjtë shohin vizione dhe të moshuarit ëndrra dhe këto nuk gënjejnë siç ndodh me ëndrrat e zakonshme, por janë profeci të vërteta dhe besnike të asaj që me siguri do të përmbushet. Ky Emër sjell para mendjeve tona një vizion të lavdisë të ditëve të mëvonshme kur Jezusi do të mbretërojë nga poli në pol dhe po ashtu një vizion tjetër të lavdisë të pashprehshme kur njerëzit e Tij do të jenë më Të ku Ai është dhe do të mbretërojnë me Të përgjithmonë.
Emri i Jezusit ishte ngushëllues ndërsa u përmend për herë të parë nga Engjëlli i Zotit për shkak të fjalëve shoqëruese, që kishin për qëllim të largonin shushatjen dhe ankthin nga mendja e Jozefit. Engjëlli tha: “Mos ki frikë” dhe me të vërtetë asnjë emër tjetër nuk mund ta zhdukë frikën si Emri i Jezusit. Është fillimi i shpresës dhe fundi i dëshpërimit. Vlen të përmendet këtu se engjëlli iu drejtua barinjve në një mënyrë të ngjashme: “Mos, druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin” (Mateu 2:10). Le të dëgjojë mëkatari veçse fjalët “një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” dhe menjëherë ai shpreson të jetojë, del nga letargjia vdekjeprurëse e gjendjes pa shpresë dhe duke parë lart sheh një Perëndi pajtues dhe nuk ka më frikë. Ky emër i Jezusit na shfaqet akoma më me shumë ëndje të pashoqe kur meditojmë se sa pafundësisht i çmuar është Personi i lavdishëm të Cilit iu dha ky emër. Ah, ja ku është druri i Jonathanit nga ku rrjedh mjaltë nga çdo degë e tij dhe ai që e shijon do t’i ndriçohen sytë! Ne nuk kemi një Shpëtimtar të zakonshëm, sepse as toka as qielli nuk mund të nxjerrë një të barabartë me Të.
Në kohën kur i vihet Emri nga Perëndia, Jezusi nuk ishte parë nga sytë e vdekshëm, sepse Ai akoma ishte i fshehur për shikimin njerëzor, por shpejt Ai u shfaq Fëmija i Shenjtë i pakrahasueshëm Jezus, pasi ishte lindur nga Maria përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, Ai mori natyrën tonë, por pa prishjen tonë. Ai u bë në ngjashmëri me mishin mëkatar, por megjithatë në mishin e Tij nuk kishte asnjë mëkat. Ai ishte “ i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët” (Hebrenjve 7:26). Ky i Shenjtë është Biri i Perëndisë dhe megjithatë Ai është Biri i njeriut. Kjo shkëlqyeshmëri e natyrës së Tij që ia tejkalon çdo gjëje e bën emrin e Tij më të çmuarin.
EMRI I JEZUSIT, I ÇMUAR NGA NJERËZIT E TIJ
Emri i Jezusit, i zgjedhur nga Perëndia për Birin e Tij, i është vënë gjithashtu Atij nga të gjithë ata që e njohin Atë me të vërtetë dhe këta e quajnë Jezus me gjithë zemër, me zell dhe guxim. Të gjithë ne e quajmë Atë Jezus nëse me të vërtetë e njohim dhe e kemi vendosur ta shpallim Emrin e Tij kudo për aq sa do të jetojmë. Nëse Ai ishte Jezusi në djep, çfarë është Ai tani që është lartësuar në qiejt më të lartë? Si Emanuel, Perëndia me ne, vetë Mishërimi i Tij e bëri Atë Jezus, Shpëtimtar i njerëzve, por çfarë do të themi tani për Të ndërsa përveç mishërimit të Tij, kemi Shlyerjen e Tij dhe përveç Shlyerjes së Tij, Ringjalljen e Tij dhe përtej saj, Ngjitjen e Tij lart dhe për t’i kurorëzuar të gjitha, Ndërmjetësimin e Tij të vazhdueshëm?
Sa madhërisht i përshtatet Atij titulli Shpëtimtar tani që është në gjendje të shpëtojë plotësisht ata që me anë të Tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta! Nëse në krahët e nënës së Tij Ai ishte Shpëtimtari, çfarë është tani që është i ulur në fronin e Perëndisë? Nëse i mbështjellë me pelena Ai ishte Jezusi, Shpëtimtari, çfarë është tani që ka përshkuar qiejt? Nëse në zdrukthëtarinë e Nazaretit dhe i ulur në tempull mes doktorëve, Ai ishte Jezusi, Shpëtimtari, çfarë është tani që mituria dhe fëmijëria kanë marrë fund dhe Ai është lartësuar mbi çdo principatë dhe pushtet? Nëse Ai ishte Jezusi kur në kryq po paraqiste vetveten si një flijim për njerëzit e Tij, çfarë është Ai tani që me anë të një flijimi i bëri të përkryer përgjithmonë ata që janë ndarë mënjanë? Çfarë është Ai tani duke qenë i ulur në anën e djathtë të Perëndisë, derisa armiqtë e Tij të bëhen stol i këmbëve të Tij? Le të bashkohen të gjithë ata që e kanë vendosur besimin te Ai duke e thirrur Zotin tonë me këtë emër të butë e njerëzor, Jezus. A nuk i thirri Ai të gjithë besimtarët me emrat e ngrohtë nënë, motër dhe vëlla? Kështu edhe ne gjithashtu do ta thërrasim Atë Jezus.
“Jezus, Emër mbi çdo emër,
Jezus, më i miri dhe më i afërti
Jezus, burim i dashurisë së përkryer,
Më i shenjti, më i buti, më i shtrenjti,
Jezus, burim i hirit të plotë,
Jezus më i shenjti, më i ëmbli;
Jezus, Shpëtimtar gjithë Hyjnor,
Ty të përket Emri, vetëm Ty.”
EMRI I JEZUSIT I ZAKONSHËM, MEGJITHATË UNIK
Emri i Jezusit nuk ishte aspak i pazakontë mes judenjve. Josephus përmend jo më pak se dymbëdhjetë persona me këtë emër. Judenjtë gulçonin aq shumë për shpëtimin në një mënyrë a një tjetër saqë zelli i tyre vërehej në zgjedhjen që u bënin emrave të fëmijëve. Të vegjlit e tyre u quajtën shpëtimtarë për shkak të shpresës që kishin përmes tyre, megjithatë ata nuk ishin shpëtimtarë me të vërtetë.
Sa të zakonshëm janë shpëtimtarët veç me emër. “Ja këtu” thonë disa “është një shpëtimtar!” “Ja atje” thonë të tjerët “është një shpëtimtar tjetër!” Të gjithë këta kanë emrin, por nuk kanë fuqinë dhe tani Zoti ynë Jezu Krisht e ka marrë këtë titull vetëm për Veten e Tij. Ai do të quhet Jezus, sepse vetëm Ai është Princ dhe Shpëtimtar dhe vetëm Ai shpëton njerëzit nga mëkatet e tyre. Të tjerët të ashtuquajtur shpëtimtarë tallen me shpresat e njerëzve. Ata premtojnë me fjalë të bukura, por mashtrojnë krejtësisht të gjithë që mbështeten tek ata. Por ky Fëmijë i Shenjtë, ky i bekuar, i lavdishëm “Perëndia me ne” ka sjellë me të vërtetë shpëtim dhe Ai tha: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër (Isaia 45:22).
Ky Jezusi i Nazaretit, Mbreti i Mbretërve dhe Zot i Zotëve është ai dhe i vetmi Shpëtimtar. Ai dhe asnjë tjetër veçse Ai, do të shpëtojë njerëzit e Tij. Ai dhe asnjë tjetër do t’i shpëtojë me anë të veprës dhe punës së Tij. I vetëm dhe pa ndihmën e askujt, Ai do të shpëtojë njerëzit e Tij. Personalisht dhe me anë të askujt tjetër, me emrin e Tij dhe në emër të Tij, Ai vetë do të pastrojë mëkatet e njerëzve të Tij.
Ai do ta bëjë të gjithë punën dhe nuk do të lërë asgjë pa bërë. Ai do ta fillojë, do ta vazhdojë dhe do ta përfundojë, prandaj dhe e ka marrë emrin Jezus, sepse Ai plotësisht, tërësisht dhe përkryershmërisht do të shpëtojë njerëzit e Tij nga mëkatet e tyre. Emri i Jezusit në një kuptim më të ngushtë u është dhënë edhe të tjerëve më përpara, por që tani e tutje, asnjë tjetër nuk mund ta marrë, përderisa nuk ka Shpëtimtar tjetër përveç Krishtit, Zotit. “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka emër tjetër nën qiell, që është njerëzve, me anë të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).
EMRI I KRISHTIT TREGON PUNËN E TIJ
“Do t’i vësh emrin Jezus, sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21). Ai nuk është quajtur Jezus, sepse është Shembulli ynë, megjithëse me të vërtetë Ai është vetë përsosmëria dhe ne dëshirojmë shumë që të ecim në gjurmët e Tij, por është quajtur Jezus, sepse Ai ka ardhur “të kërkojë dhe shpëtojë atë që kishte humbur” (Lluka 19:10). Gjithashtu Ai është Krishti ose i Vajosuri, por pastaj Ai është Krishti Jezus, që do të thotë që Ai është vajosur për të qenë Shpëtimtar. Ai nuk është asgjë nëse nuk është Shpëtimtar. Ai është vajosur për këtë qëllim. Edhe vetë Emri i Tij do të ishte mashtrim nëse Ai nuk do të shpëtonte popullin e Tij nga mëkatet e tyre.
Është një fakt i hirshëm, por shumë befasues që lidhja e Zotit tonë me popullin e Tij ka të bëjë në thelb me mëkatet e tyre. Kjo është një begenisje mahnitëse. Ai është quajtur Shpëtimtar në lidhje me popullin e Tij, por është në lidhje me mëkatet e tyre, sepse nga mëkatet e tyre ata duhet të shpëtohen. Nëse nuk do të kishin mëkatuar asnjëherë, kurrë nuk do të kërkohej një Shpëtimtar dhe nuk do të kishte pasur asnjë Emër Jezus të njohur mbi tokë.
Galatasve 1:4 është një tekst i mrekullueshëm, a keni medituar ndonjëherë mbi këtë tekst? “Që e dha veten e Tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo botë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë” (Galatasve 1:4). Është e vërtetë, siç tha edhe Martin Luteri, se Ai nuk e dha veten e Tij aspak për drejtësinë tonë, por Ai e dha veten për mëkatet tona. Mëkati është një ligësi e tmerrshme, një helm vdekjeprurës, megjithatë është ky që i jep Jezusit titullin e Tij kur Ai e mposht atë. Ç ’gjë e habitshme është kjo! Lidhja e parë midis shpirtit tim dhe Krishtit nuk është mirësia ime, por e keqja ime, jo merita ime, por mjerimi im, jo ngritja ime, por rënia ime, jo pasuritë e mia, por nevoja ime. Ai vjen të vizitojë popullin e Tij, megjithatë jo që të admirojë bukuritë e tyre, por që të heqë deformimet e tyre, jo që të shpërblejë virtytet e tyre, por të falë mëkatet e tyre. Oh ju mëkatarë, e kam fjalën ju mëkatarë të vërtetë, jo ju që e thërrisni veten me këtë emër thjesht ngaqë ju është thënë që kjo është çfarë ju jeni, por ju që e ndjeni veten me të vërtetë fajtorë para Perëndisë, ja ku është lajmi i mirë për ju! Oh ju mëkatarë të vetë dënuar, që e ndjeni se nëse një ditë do të shpëtoheshit, është Jezusi që duhet ta sjellë shpëtimin tek ju dhe të jetë fillimi dhe fundi i tij. Unë të lutem të gëzohesh në këtë i dashur, në këtë Emër të çmuar, të bekuar, sepse Jezusi ka ardhur të të shpëtojë, pikërisht ty! Shkoni te Ai si mëkatarë, thirreni Atë “Jezus” dhe i thoni Atij: “O Zoti Jezus, bëhu Jezus për mua, më shpëto, sepse kam nevojë për shpëtimin Tënd!” Mos dysho se Ai nuk do ta përmbushë dot vetë Emrin e Tij dhe nuk do ta shfaqë dot fuqinë e Tij shpëtuese në ty. Vetëm rrëfeji Atij mëkatin tënd dhe Ai do të të shpëtojë nga mëkati. Vetëm beso në Të dhe Ai do të jetë shpëtimi yt.
Çfarë do të thotë Apostulli Pal kur thotë “që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15)?
Së pari do të thotë që Jezusi erdhi t’i shpëtojë nga dënimi për mëkatet e tyre. Mëkati i tyre nuk do t’u ngarkohet, kështu që ata nuk do të dënohen për të, nëse mbështeten me besim te Ai që u dënua në vend të atyre që ishin me të vërtetë fajtorë. Kjo është një nga gjërat që Krishti erdhi të bënte në botë për mëkatarët.
Së dyti, do të thotë që Ai erdhi gjithashtu t’i shpëtonte nga ndotja prej mëkateve të tyre, kështu që megjithëse mendja e tyre është prishur, shija e tyre është degraduar dhe ndërgjegjja e tyre është bërë e vdekur nga mëkati, Ai erdhi që ta heqë këtë ligësi dhe t’u japë atyre një zemër të ndjeshme, urrejtje për mëkatin, dashuri për shenjtëri dhe dëshirë për pastërti. Kjo është një punë e madhe që Ai kryen, megjithatë Jezusi erdhi që të bënte madje edhe më shumë se kaq.
Së treti, Ai erdhi gjithashtu që të heqë prirjen tonë për të mëkatuar, ato prirje që janë lindur në ne dhe që rriten me ne. Ai erdhi me anë të Frymës së Tij t’i eliminojë , t’i shkulë nga rrënjët dhe të vendosë në ne një parim tjetër, që do të luftojë me parimin e vjetër të mëkatit dhe ta mposhtë atë derisa vetëm Krishti të mbretërojë dhe çdo mendim t’i nënshtrohet Atij.
Po ashtu Jezusi erdhi të shpëtojë popullin e Tij nga apostazia[1]. Ai “erdhi në botë të shpëtojë mëkatarët,” në kuptimin më të plotë, duke i ruajtur ata besnik deri në fund, kështu që ata të mos kthehen mbrapsht në humbje. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e punës së hirit Hyjnor. Ta bësh një njeri të fillojë siç duhet, është gjë e vogël, por ta mbash atë njeri të qëndrojë deri në fund, është një triumf i hirit të plotfuqishëm dhe Krishti erdhi për ta bërë këtë gjë. “Krishti erdhi në botë” jo që t’ju shpëtojë përgjysmë, jo që t’ju shpëtojë në këtë apo atë drejtim, në këtë apo atë pikëpamje, por t’ju shpëtojë nga mëkati, t’ju shpëtojë nga gjaknxehtësia, t’ju shpëtojë nga mendjemadhësia, t’ju shpëtojë nga pija, t’ju shpëtojë nga lakmia, t’ju shpëtojë nga çdo gjë e ligë, “dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së Tij të paqortueshëm dhe me gëzim” (Juda 24).
Kjo është një e vërtetë e lavdishme, “Krishti Jezus erdhi në botë që të shpëtojë mëkatarët.” Ai erdhi në grazhdin e Betlehemit dhe më pas në kryqin e Kalvarit për këtë punë të vetme që Ai të shpëtojë mëkatarët. A nuk është Ai në gjendje të shpëtojë? A nuk është Ai pikërisht shpëtimtari që kemi nevojë? Perëndi dhe megjithatë njeri në një Person të adhurueshëm. Atij i vjen keq për dobësitë tona, sepse Ai është njeri dhe Ai është në gjendje të shpëtojë, sepse Ai është Perëndi. Perëndi njeri i bekuar, Jezus Krisht, Ti je në gjendje dhe i gatshëm të më shpëtosh dhe Ti je në gjendje dhe i gatshëm të shpëtosh të gjithë mëkatarët e tjerë që do të besojnë në Ty!
MISHËRIMI I KRISHTIT, NË KOHËN E DUHUR
Pali u shkroi Galatasve: “ kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e Tij, të lindur prej një gruaje, të nënshtruar ndaj ligjit, që të shpengonte ata që ishin në ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Galatasve 4:4-5). Rezervuari i kohës duhej të mbushej me derdhjen e viteve dhe kur ishte plot deri në buzë, u shfaq Biri i Perëndisë. Se pse bota duhej të mbeste pa Të, si Drita e saj e madhe e vetme, për katër mijë vjet pasi Adami ishte krijuar nga pluhuri i tokës dhe pse iu desh kishës Judaike aq kohë për të ardhur në shtatin e saj të plotë, nuk e dimë, por gjithsesi na tregohet qartë që Jezusi u dërgua “kur u mbush koha.”
Zoti ynë nuk erdhi as para kohe as me vonesë. Ai ishte i përpiktë në orën e caktuar dhe thirri në momentin e duhur, “Ja, Unë po vij.” Ne nuk i fusim hundët nga kureshtja në arsyet pse Krishti erdhi kur Ai erdhi, por ne mund të meditojmë me respekt mbi këtë fakt të madh. Lindja e Jezusit është drita më e madhe e historisë, dielli i qiejve i të gjitha kohërave. Është ylli polar i fatit të njerëzimit, pikëmbështetja e kohës, vendtakimi i ujërave të së kaluarës dhe të ardhmes. Pse ndodhi pikërisht në atë moment? Arsyeja kryesore është ngaqë kështu u paratha. Kishte shumë profeci në Shkrimet e Testamentit të Vjetër, që tregonin si me gisht të pagabueshëm për vendin, mënyrën dhe kohën kur Shiloh do të vinte dhe flijimi i madh për mëkatin do të ofrohej.
Jezusi erdhi pikërisht në atë kohë që Perëndia pati përcaktuar. Zoti i gjithëdijshëm i gjithçka-je cakton datën e çdo ngjarje, koha është në dorën e Tij, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Nuk ka penj të zgjidhur në providencën e Perëndisë as dhe një fill të pa thurur. Ora e madhe e universit e mban kohën në mënyrë të përkryer dhe tërë makineria e providencës lëviz me përpikëri të pagabueshme. Ishte e pritshme që më e madhja ngjarje të ishte më e sakta dhe e caktuar me urtësinë më të madhe dhe ashtu ndodhi. Perëndia deshi atëherë kur dhe aty ku i pëlqeu dhe ky vullnet i Tij është për ne arsyeja përfundimtare.
MISHËRIMI I KRISHTIT, SHUAN FRIKËN.
Engjëlli u tha barinjve, “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Lluka 2:10-11). Pikërisht arsyeja kryesore për të cilin Ai u lind dhe erdhi në këtë botë ishte që Ai të mund të na çlironte nga mëkati. Çfarë ishte ajo gjë pra që na frikësoi? A nuk kishim frikë vallë nga Perëndia, ngaqë e ndjenim se ishim të humbur përmes mëkatit? E po mirë, këtu ka gëzim mbi gëzim, sepse jo vetëm që ka ardhur Zoti mes nesh si njeri, por Ai u bë njeri në mënyrë që të mund ta shpëtonte njeriun nga çka e ndante nga Perëndia.
Ndjehem sikur keqardhja e zemrës sime është gati të shpërthejë në lumenj lotësh për shumë mëkatarë që janë larguar shumë larg Perëndisë dhe që kanë shkapërderdhur jetët e tyre plot rebelime në rrugë të ndryshme të liga. E di që ata kanë frikë të kthehen. Ata mendojnë që Zoti nuk do t’i pranojë dhe se nuk ka mëshirë për mëkatarë të tillë siç kanë qenë ata. Por Zoti Jezu Krisht ka ardhur të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur. Nëse Ai nuk shpëton, Ai ka lindur më kot, sepse arsyeja e lindjes së Tij ishte shpëtimi i mëkatarëve. Nëse Ai nuk do të jetë Shpëtimtar, atëherë misioni i Tij i ardhjes në këtë tokë nuk e ka përmbushur qëllimin e vet të shpëtimit të mëkatarëve të humbur. Ti o i humbur, i humbur, nëse do të vinte lajmi te ty se një engjëll ka ardhur të të shpëtojë, kjo mund të jetë arsye për t’u gëzuar, por ka lajm akoma më të mirë. Vetë Perëndia ka ardhur, i Pafundmi, i Plotfuqishmi është përkulur nga qielli më i lartë për të të ngritur ty, një krimb të gjorë, të humbur dhe të padenjë.
A nuk ka vallë ngushëllim këtu për ty? A nuk heq Mishërimi i Shpëtimtarit frikën e tmerrshme që varet mbi kokat e njerëzve si një hije e zezë? Engjëlli e përshkroi Shpëtimtarin e porsalindur si “Krishti.” Ja ku është ana e Tij njerëzore, sepse ishte si njeri që Ai u vajos. Por Engjëlli gjithashtu me të drejtë e quajti “Krishti Zoti.” Ja ku është Hyjnia e Tij. Kjo është e vërteta e fortë ku mbështesim këmbët tona. Jezusi i Nazaretit është “Perëndi i vërtetë sa Perëndia i vërtetë.” Ai që u lind në grazhdin e Betlehemit është tani dhe gjithmonë ka qenë “përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë.” Nuk ka Ungjill aspak nëse Krishti nuk është Perëndi. Nuk përbën për mua ndonjë lajm që është lindur një profet i madh. Ka pasur profet të mëdhenj përpara, por bota nuk është shpenguar kurrë nga e liga thjesht nëpërmjet një dëshmie të së vërtetës dhe kurrë nuk do të shpengohet. Por më trego që Perëndia ka lindur, që Perëndia Vetë ka marrë natyrën tonë dhe është bërë një me të, atëherë kambanat e zemrës time bien me gëzim të madh, sepse tani mund të shkoj te Perëndia meqë Perëndia ka ardhur te mua.
Perëndia ka dërguar një Ambasador që nuk shtie frikë. Korrieri i Qiellit nuk na afrohet me helmetë a parzmore, apo me shpatë ose me heshtë, por flamuri i bardhë mbahet në dorën e një Foshnje, në dorën e Dikujt të zgjedhur mes njerëzve, në dorën e Dikujt që vdiq, në dorën e Dikujt i Cili megjithëse mbretëron në lavdi mban akoma gjurmët e gozhdëve.
O njeri, Perëndia vjen te ti në formën e dikujt si ti vetë! Mos ki frikë të afrohesh afër Jezusit të butë. Mos imagjino se duhet të përgatitesh për një audiencë me Të apo se duhet të kesh medoemos ndërmjetësimin e një shenjtori apo ndërhyrjen e një prifti apo predikuesi. Kushdo mund të kishte shkuar te Foshnja e Betlehemit. Qetë mendoj se hëngrën kashtën ku Ai fjeti dhe nuk patën frikë. Është tmerri i Hyjnisë që shpesh e mban larg mëkatarin nga pajtimi, por shiko sesi Hyjnia është fshehur hirësisht në atë Foshnjë të vogël, i Cili kishte nevojë të mbështillej me pelena si çdo foshnje tjetër e porsalindur. Kush do të kishte frikë t’i afrohet Atij? Megjithatë Hyjnia është Aty.
Shpirti im, kur nuk mundesh të qëndrosh dot në detin e qelqtë përzier me zjarr, kur lavdia Hyjnore është si një zjarr konsumues për frymën tënde dhe madhëria e shenjtë e Qiellit është e papërballueshme për ty, atëherë ti eja te kjo Foshnjë dhe thuaj; “Megjithatë Perëndia është këtu dhe këtu mund ta takoj Atë në personin e Birit të Tij të dashur, në të Cilin banon trupërisht gjithë plotësia e hyjnisë.”
Oh, çfarë lumnie që gjendet te Mishërimi i Krishtit ndërsa kujtojmë që aty plotfuqishmëria e Perëndisë vjen poshtë në brishtësinë e njeriut dhe madhështia e pafundme përkulet në dobësinë e njeriut! Barinjtë nuk e gjetën këtë foshnjë të mbështjellë me mëndafsh të Tirit, as mbështjellë me copat më të zgjedhura të ardhura nga larg.
“Asnjë kurorë nuk zbukuron ballin e Tij të bukur,
Nuk ka aty mëndafsh, perlë a gur të çmuar.”
As nuk e gjetën Atë në sallone prej mermeri princash, as të ruajtur nga legjionarë të pretoriumit, as të shoqëruar nga sovranë vasalë, por e gjetën si foshnjën e një gruaje fshatare, vërtet me prejardhje princërore, por nga një familje e varfër dhe e harruar në Izrael. Fëmija i Shenjtë njihej si biri i një zdrukthëtari. Nëse do të shihnit sa njerëz të thjeshtë ishin babai dhe nëna e Tij dhe krevatin modest që ata kishin bërë, ku më përpara kishin ngrënë qetë, ju do të thoshit, “Kjo është begenisje me të vërtetë”
O ju të varfër gëzohuni, sepse Jezusi u lind në varfëri dhe u vendos në një grazhd! O ju bij të mundit, gëzohuni, sepse Shpëtimtari lindi nga një virgjëreshë e varfër dhe një zdrukthëtar do të njihej si babai i Tij! O ju popull që shpesh përçmoheni dhe shkeleni me këmbë, Princi i popullit ka lindur, Dikush i zgjedhur mes popullit është lartuar në fron! O ju që e quani veten aristokracia, vini re Princin e Mbretërve të tokës, prejardhja e të Cilit është hyjnore dhe megjithatë nuk ka vend për Të në han!
Vini re, o njerëz, Birin e Perëndisë që është kockë e kockës tuaj dhe mish i mishit tuaj, i Cili në jetën e Tij në tokë njohu mirë gjithë dhimbjet tuaja, e mori uria siç ju merr ju uria, u lodh siç lodheni ju, veshi rroba të thjeshta si rrobat tuaja; po, madje vuajti nga një varfëri më e madhe se ju, sepse Ai nuk kishte as ku të mbështeste kokën! Le të gëzohen qielli dhe Toka, meqë Perëndia ka ardhur kaq plotësisht dhe kaq me të vërtetë poshtë te njerëzit. Jezusi është Miku i të varfërve, i mëkatarëve dhe të padenjëve. Ju të varfër, mos kini frikë të shkoni tek Ati, sepse Ai u lind në një ahur dhe u vendos në një grazhd. Ju nuk keni kushte jetese më keq se
ç ‘kishte Ai. Ju nuk jeni më të varfër se Ai. Ejani dhe mirë se të vini te Princi i njerëzve të varfër, te Shpëtimtari i fshatarëve. Mos u step nga frika se je i papërshtatshëm. Barinjtë shkuan tek Ai ashtu siç ishin me rrobat e tyre të leckosura. Nuk lexoj gjëkundi që ata shkuan dhe veshën rrobat e tyre më të mira, por me rrobat me të cilat ishin mbështjellë atë mesnatë të ftohtë, ata nxituan ashtu siç ishin për të vajtur në praninë e Fëmijës të sapolindur. Perëndia nuk shikon te rrobat, por te zemrat dhe pranon njerëz kur ata shkojnë tek Ai me frymë vullnetmirë, qofshin të pasur apo të varfër.
MISHËRIMI I KRISHTIT, NGAZËLLUES DHE PERSONAL
Engjëlli u tha barinjve: “Vini re, unë po ju lajmëroj një gëzim për të gjithë popullin” (Lluka 2:10) dhe me të vërtetë mesazhi engjëllor është akoma burimi i gëzimit për të gjithë ata që e dëgjojnë siç duhet: “Për ju një Shpëtimtar është lindur…” Atëherë ngazëlleni ju që ndjeheni të humbur, sepse Krishti Jezus Shpëtimtari vjen t’ju kërkojë dhe t’ju shpëtojë. Gëzohuni ju që jeni në burgun e mëkatit, sepse Ai vjen t’ju çlirojë. Ju që jeni në nevojë dhe gati të vdisni, gëzohuni që Krishti Jezus Zoti ka kushtuar për ju një Betlehem më të mirë, një “shtëpi buke” të vërtetë dhe që Ai vetë ka ardhur të jetë buka e jetës së shpirtrave tuaj.
Ngazëlleni o mëkatarë, kudo që të jeni, sepse Restauruesi i të braktisurve, Shpëtimtari i të rënëve ka lindur! Bashkohuni në gëzim ju shenjtorë, sepse Ai gjithashtu është Ruajtësi i të shpëtuarve, duke i çliruar nga rreziqe të panumërta dhe Ai është Përsosësi i sigurt i gjithë atyre që Ai ruan. Jezusi nuk është Shpëtimtar i pjesshëm, duke nisur një punë pa e përfunduar, por ndërsa shpëton, pastron, rimëkëmb dhe mban, Ai gjithashtu përsos dhe paraqet të shpëtuarit pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, para fytyrës së Atit të Tij.
Ngazëlleni atëherë ju të gjithë o njerëz; kodrat dhe luginat le të ushtojnë nga gëzimi, sepse një Shpëtimtar që është i fuqishëm të shpëtojë ka lindur mes jush. Gëzimi nisi me barinjtë, sepse engjëlli u tha atyre, “sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Lexues a do të nis gëzimi për ty sot? Nuk ka ndonjë vlerë për ty që Krishti ka lindur apo që Krishti vdiq në rast se nuk ka lindur një Fëmijë për ty dhe Jezusi nuk derdhi gjakun e Tij për ty.
Të kemi pjesë personalisht në lindjen, jetën dhe vdekjen e Krishti është pika kryesore për secilin prej nesh. Por dikush po thotë, “Por unë jam i varfër”. Po kështu ishin edhe barinjtë. O ju të varfër, për ju ka lindur ky Fëmijë i mistershëm! “Ungjilli po u predikohet të varfërve” (Mateu 11:5). “Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin” (Psalm 72:4). Por dikush tjetër po thotë: “Por unë nuk jam njeri me famë dhe askush nuk më njeh.” Po kështu ishin edhe rojet e natës. Kush përveç Perëndisë i njihte njerëzit që bënin punë të rëndë dhe ruanin tufat e bagëtive gjatë natës? Dhe për ju që nuk njiheni nga njerëzit, por që njiheni nga Perëndia, a nuk do të thuhet pra që “për ju një Fëmijë është lindur”? Zoti nuk sheh sa të shquar janë njerëzit, por Ai nderon të përulurit.
Mbase po thoni se jeni analfabet dhe nuk kuptoni shumë. Le të jetë ashtu, por për barinjtë Krishti u lind dhe thjeshtësia e tyre nuk i pengoi ta pranonin Atë, por madje i ndihmoi ta bënin një gjë të tillë. Le të jetë kështu edhe me ty. Pranoje me gëzim të vërtetën e thjeshtë siç është në Jezusin. Zoti ka lartësuar një të zgjedhur mes njerëzve. Nuk po lartësoj para jush një Krisht aristokratik, por Shpëtimtarin e njerëzve, Mikun e tagrambledhësve dhe mëkatarëve. Jezusi është “Miku i të varfrit”. Ai është “Dëshmitar i popujve, Princ dhe Komandant i popujve.” Oh që secili prej nesh të mund të thoshte me të vërtetë, “Për mua është lindur Jezusi”!
Nëse besoj me të vërtetë në Të, Krishti është lindur për mua dhe mund të jem po aq i sigurt për këtë sa sikur të ma kishte shpallur personalisht një engjëll, meqë Shkrimet më sigurojnë se nëse besoj në Jezusin, Ai është i imi dhe unë jam i Tij dhe përmes bashkimit me Të unë bëhem pjesëmarrës në jetën e Tij të përjetshme dhe në gjithçka që Ai ka.
Mishërimi i Krishtit, Çudia e Engjëjve
Sa të çuditur duhet të kenë qenë engjëjt kur u informuan për herë të parë që Jezu Krishti, Princi i jetës, kishte për synim të mbështillej në baltë, të bëhej një foshnje, të jetonte dhe të vdiste në tokë! Ne nuk e dimë se si ky informacion iu komunikua për herë të parë engjëjve, por kur fjalët filluan të qarkullonin midis ushtrive shndritëse, mund ta imagjinojmë çfarë habie të pazakontë duhet të kenë përjetuar mendjet e tyre të ndritura. Çfarë! A është e vërtetë se Ai, kurora e të Cilit është e thurur me Yje, do ta lërë mënjanë kurorën? Çfarë! A është e sigurt se Ai që mbi supet e të Cilit është hedhur petku i purpurt i Sovranitetit hyjnor do të bëhet njeri i veshur me rrobat e një fshatari. A mund të jetë e vërtetë se Ai, i Cili është i përjetshëm dhe i pavdekshëm të kthehet në baltë për t’u kryqëzuar në Kryq. Sa shumë më tepër do të jenë çuditur ndërsa u janë bërë të njohur detajet e jetës dhe vdekjes së Shpëtimtarit. Me të drejtë që ata dëshironin “t’i vëzhgonin” këto gjëra, që ishin aq befasuese dhe misterioze për ta.
Dhe kur Ai zbriti nga lart, ata e ndiqnin hap pas hapi, sepse Jezusi “u pa nga engjëjt” dhe u pa në një kuptim mjaft të veçantë, sepse ata e shihnin me një mahnitje të jashtëzakonshme, duke pyetur veten se çfarë do të thoshte vallë se Ai “duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju.” A e shihni Atë, në atë ditë të eklipsit të Qiellit, kur si të thuash u ç ‘mbështoll nga Madhështia e Tij? A mund ta përfytyroni dot habinë e madhe të ushtrive qiellore kur vepra e madhe u krye me të vërtetë, kur ata panë diademën e Tij të paçmueshme të hiqej, kur e panë Atë të zgjidhte brezin e Tij të yjeve dhe të hidhte tutje sandalet e Tij të arta. A mund ta imagjinoni dot habinë e engjëjve ndërsa Ai u thotë, “ Nuk e përçmoj barkun e virgjëreshës; po zbres poshtë në tokë të bëhem njeri”? A mund t’i përfytyroni ata ndërsa pohuan se do ta ndiqnin hap pas hapi? Ata e ndoqën aq sa Ai i lejoi dhe kur erdhën në Tokë, filluan të këndojnë, “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij!” Ata as nuk donin të largoheshin derisa t’i bënin gjithashtu barinjtë të habiteshin dhe derisa qielli të varte yje të rinj për nder të Mbretit të porsalindur.
Dhe tani habituni ju engjëj ndërsa shihni që i Pafundmi është bërë foshnjë. Ai, mbi supet e të Cilit mbahet universi, mbahet në gjirin e nënës së Tij. Ai, i Cili krijoi të gjitha gjërat me anë të fuqisë së Fjalës së Tij dhe që mban shtyllat e krijimit, tani është bërë kaq i dobët sa duhet të mbahet në krahët e një gruaje! Habituni, ju që e keni njohur Atë në Pasurinë e Tij, ndërsa e shihni në varfërinë e Tij. Ku fle Mbreti i porsalindur? A ka Ai dhomën më të mirë në pallatin e Cezarit? A janë përgatitur për Të një djep prej ari dhe jastëkë të butë ku të pushojë kokën? Jo; në ahurin e vjetruar ku rrinin qetë dhe në grazhdin ku qetë ushqeheshin, atje Shpëtimtari rri, mbështjellë njësoj si çdo foshnje e një familje të varfër. Nuk rri gjatë atje, sepse papritur nëna e Tij duhet ta çojë në Egjipt. Ai duhet të shkojë atje duke jetuar si një i huaj në një tokë të huaj. Mbasi u kthye dhe u rrit në Nazaret, engjëjt duhet të jenë mrekulluar të shihnin Atë që bëri botët, të mbante në dorë çekiçin dhe gozhdët, duke ndihmuar të ashtu njohurin atin e Tij në punët e zdrukthëtarisë.
Mishërimi i Krishtit, Habia e të Vdekshmëve
Nëse engjëjt u mahnitën aq shumë me lindjen e Krishtit, nuk është befasi që njeriu të mrekullohet me një habi të shenjtë nga ky mister i madh!
Është me të vërtetë e mrekullueshme, që Perëndia të kishte aq konsideratë për krijesat e Tij të rëna në mëkat, sa në vend që t’i shfaroste me një shkatërrim të tmerrshëm, të përftonte një skemë të mrekullueshme për shpengimin e tyre dhe që Ai vetë të ndërmerrte të bëhej Shpengimtari i Tyre dhe të paguante çmimin e shpengimit!
Mbase ju duket juve gjëja më e mrekullueshme që pikërisht ju të shpengoheni nga gjaku i Jezusit, që Perëndia të linte fronet dhe mbretëritë lart dhe të vuante në mënyrë aq poshtëruese këtu poshtë për ju!
Nëse e njihni me të vërtetë vetveten, nuk do të gjenit kurrë ndonjë motiv apo arsye të përshtatshme në vetvete për një vepër kaq të mrekullueshme si kjo. Ju mund të bëni fare mirë pyetjen, “Pse Perëndia duhet të shfaqte një dashuri kaq të madhe për Mua?”
Nëse Davidi, kur Zoti i zbuloi nderet që e prisnin atë dhe familjen e tij, mundi të thoshte vetëm, “Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu? dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot” çfarë do të thoshim vallë unë dhe ti? Edhe nëse do të kishim qenë individët më me shumë merita dhe nëse do të kishim respektuar pa asnjë të metë urdhërimet e Perëndisë, ne nuk do ta kishim merituar një favor kaq të paçmueshëm si Mishërimi i Krishtit! Por ndërsa jemi mëkatarë, shkelës, rebelë, duke ngritur krye dhe duke u larguar në vazhdimësi gjithnjë e më larg nga Perëndia, çfarë do të thoshim vallë për Perëndinë e mishëruar duke vdekur për ne, por veçse “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që Ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e Tij për shlyerjen e mëkateve tona.”
Lëre shpirtin të rrëmbehet në HABI, sepse habia është në këtë mënyrë një emocion tejet praktik. Habia e shenjtë do t’ju shpjerë në adhurim mirënjohës; duke qenë të mahnitur nga çfarë Perëndia ka bërë, të mrekulluar ju do ta derdhni shpirtin tuaj tek këmbët e fronit të artë me këtë këngë mirënjohëse dhe adhuruese, “Bekimi dhe nderi dhe lavdia dhe madhëria dhe fuqia dhe mbretëria dhe pushteti janë të Tuat që ulesh në Fron dhe bën këto gjëra të mëdha për mua.”
Kjo habi do të prodhojë në ju vigjilencë të perëndishme.
Ju do të keni frikë të mëkatoni ndaj një dashurie kaq të madhe si kjo. Duke ndjerë praninë e fuqishme të Perëndisë në dhuratën e Birit të Tij të shtrenjtë, do të hiqni këpucët nga këmbët, sepse vendi ku shkelni është vend i shenjtë.
Ju do të nxiteni në një njëjtën kohë për një shpresë të lavdishme. Nëse Jezusi ka dhënë Veten e Tij për ju, nëse Ai ka bërë këtë gjë të mrekullueshme në emrin tuaj, ju do të ndjeni se parajsa vetë nuk është tepër e madhe për pritshmërinë tuaj dhe se lumenjtë e kënaqësisë në dorën e djathtë të Perëndisë nuk janë tepër të ëmbël apo tepër të thellë për të pirë prej tyre. Kush mund të mrekullohet nga diçka mbasi ka mësuar misterin e grazhdit dhe kryqit?
A mbetet ndonjë gjë e mrekullueshme pasi një njeri ka parë Shpëtimtarin?
Nëntë mrekullitë e mëdha të botës! Kurrsesi, edhe sikur t’i mblidhje bashkë, makineritë dhe arti modern do t’ia kalonin. Por kjo mrekulli nuk është vetëm mrekulli e tokës, por e Qiellit dhe e Tokës dhe madje dhe e vetë ferrit. Nuk është mrekullia e kohërave të vjetra, por mrekullia e të gjitha kohërave dhe mrekullia e përjetësisë!
Ata që shohin “mrekullitë njerëzore’ disa herë, vjen një kohë që pushojnë së mrekulluari – ndërtesa më madhështore që arkitekti ka ngritur, vjen një kohë dhe dështon t’i bëjë përshtypje shikuesit, por nuk ndodh kështu me këtë tempull të mrekullueshëm të Hyjnisë së mishëruar. Aq më shumë e shikojmë, aq më shumë habitemi, më shumë mësohemi më të, më shumë kemi një ndijim të bukurisë së pashoqe të dashurisë dhe hirit të tij.
Ka më shumë nga lavdia dhe madhështia e Perëndisë në grazhd dhe kryq sesa në yjet e shndritshëm lart, në thellësitë e deteve poshtë, në malet e larta, luginat plot gjallëri, banesat e jetës apo humnerën e vdekjes.
Le t’i jepemi pra kësaj mrekullie së shenjtë, sa të prodhojë mirënjohje, adhurim, dashuri dhe siguri, ndërsa mendojmë mbi “misterin e madh të mëshirës, Perëndia u shfaq në mish.”
EMANUEL “PERËNDIA ME NE”
Përveç shpjegimit të Emrit të Jezusit dhe shënimit të origjinës së tij prej Perëndisë, i pëlqeu Frymës së Shenjtë, përmes ungjilltarit Mate, të na tregonte sinonimin e këtij Emri duke na dhënë kështu më shumë informacion mbi kuptimin e tij. “E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që u tha prej Zotit, me anë të profetit, duke thënë: ‘Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, dhe do t’i vënë emrin Emanuel, që e përkthyer do të thotë: ‘Perëndia me ne’” (Mateu 1:22-23). Përderisa, kur Zoti ynë u lind dhe u quajt “Jezus,” profecia e vjetër që thoshte se Ai duhet të quhet Emanuel u përmbush, rrjedh nga kjo që emri “Jezus” ka të njëjtën rëndësi me atë të “Emanuel” dhe se praktikisht kuptimi i tij është “Perëndia me ne.”
Dhe me të vërtetë, Ai është Jezusi, Shpëtimtari, sepse Ai është Emanueli, Perëndia me ne dhe sapo u lind e u bë Emanueli, Perëndia i mishëruar, Ai u bë pikërisht nga vetë ky fakt, Jezusi, Shpëtimtari. Duke ardhur poshtë nga Qielli në këtë tokë dhe duke veshur natyrën tonë, Ai ngriti një urë mbi humnerën përndryshe të pakapërcyeshme mes Perëndisë dhe njeriut; duke vuajtur në atë natyrë njerëzore dhe duke i tejçuar vuajtjes së Tij përmes Natyrës së Tij hyjnore një vlerë të pafundme, Ai hoqi çka do të na kishte shkatërruar dhe na solli jetë dhe shpëtim të përjetshëm.
O Jezus, emri më i dashur në tokë apo në Qiell, e dua muzikën tënde akoma më shumë, sepse është në një harmoni kaq të ëmbël me një tjetër Emër që tingëllon melodishëm në veshët e mi, Emanuel, Perëndia me ne! Shpëtimtari ynë është Perëndi dhe prandaj Ai është “i fuqishëm të shpëtojë.” Ai është Perëndia me ne dhe prandaj ndjen keqardhje; Ai është hyjnor prandaj dhe pafundësisht i urtë, por Ai është njerëzor dhe prandaj plot me dhembshuri.
Kurrë për asnjë moment të mos hezitojmë në lidhje me Hyjninë e Zotit tonë Jezu Krisht, sepse Hyjnia e Tij është një doktrinë thelbësore e besimit të krishterë. Ndoshta ne kurrë nuk do të kuptojmë ndonjëherë si Perëndia dhe njeriu mund të bashkohen në një Person, sepse kush mund të zbulojë Perëndinë përmes kërkimeve? Këto mistere të mëdha të perëndishmërisë, këto “gjëra të thella të Perëndisë,” janë përtej kapacitetit tonë. Lundra jonë e vogël mund të humbasë nëse do të guxonim të vozisnim aq larg në këtë oqean të madh e të pafund, sa të humbnim nga shikimi bregdetin e të vërtetës të zbuluar qartazi. Por le të mbesë si çështje besimi se Jezu Krishti, pikërisht Ai që qëndronte i shtrirë në grazhdin e Betlehemit, i mbajtur në krah nga një grua dhe që jetoi një jetë me vuajtje dhe vdiq në kryq si keqbërës, ishte megjithatë i caktuar “Trashëgimtar i të gjithave gjërave,” “shkëlqimi i lavdisë së Atit të Tij,” “dhe vula e qenies së Tij,” (Hebrenjve 1:3) “i Cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort” (Filipianëve 2:6), sepse ai nder ishte tashmë i Tij, kështu që Ai mund të thoshte me të vërtetë “Unë dhe Ati jemi një” (Gjoni 10:30).
Jezusi i Nazaretit patjetër që nuk ishte një engjëll. Këtë fakt apostulli Pal e ka provuar plotësisht dhe me siguri në kapitullin e parë dhe të dytë të Letrës së Hebrenjve. Ai nuk mund të kishte qenë një engjëll, sepse Atij iu caktuan ndere që nuk i kanë takuar ndonjëherë engjëjve. Ai nuk ishte një hyjni vartës apo qenie e krijuar e lartësuar në Hyjni, siç e kanë deklaruar disa në mënyrë absurde. Të tilla deklarata janë të pabesueshme njësoj si ëndrrat dhe gënjeshtrat. Krishti ishte me siguri Perëndi po aq sa Perëndia është Perëndi, një me Atin dhe me Frymën e bekuar përjetë. Nëse nuk do të ishte kështu, jo vetëm që forca e madhe e shpresës sonë do të zhdukej, por edhe lavdia e Mishërimit do të kishte avulluar e gjitha. Pikërisht esenca e mishërimit është se ishte Perëndia vetë që u mbulua me mishin njerëzor. Nëse do të kishte qenë ndonjë qenie tjetër që do të kishte ardhur te ne në atë mënyrë, padyshim që nuk shoh ndonjë gjë të jashtëzakonshme aty, asgjë ngushëlluese.
Që një engjëll të bëhej njeri është diçka që nuk ka ndonjë rrjedhojë të madhe për mua. Që një qenie tjetër superiore të merrte natyrën njerëzore, nuk i sjell ndonjë gëzim zemrës time dhe nuk hap ndonjë burim ngushëllimi për mua. Por “Perëndia me ne” është burimi i një ëndje të mrekullueshme.
“Perëndia me ne” gjithçka që “Perëndia” do të thotë, Hyjnia, i Përjetshmi i pafund me ne, kjo, kjo meriton që kënga të shpërthejë në mesnatë, kur engjëjt i bënë barinjtë të dridhen me këngët e tyre të Krishtlindjes duke kënduar: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij!” (Lluka 2:14). Kjo ishte e denjë për parashikimin e profetëve, e denjë për një yll të ri në qiell, e denjë për kujdesin që Frymëzimi ka treguar për ta dokumentuar si fakt. Kjo gjithashtu ishte e denjë për vdekjen martire të apostujve dhe ndjekësve të cilët nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje për hir të Perëndisë së mishëruar dhe kjo është e denjë edhe sot për përpjekjet tona më të zellshme për të përhapur lajmin e mirë, e denjë për një jetë të shenjtë për të ilustruar ndikimin e saj të bekuar dhe e denjë për një vdekje të gëzueshme për të provuar fuqinë e saj ngushëlluese.
Mjaft mirë tha Apostulli Pal, “Dhe pa kundërshtim misteri i perëndishmërisë është i madh: Perëndia u shfaq në mish” (1Timoteut 3:16). Ai që lindi në Betlehem është Perëndia dhe “Perëndia me ne.” Perëndia, këtu qëndron madhështia. “Perëndia me ne,” këtu qëndron mëshira. Perëndia, këtu është lavdia. “Perëndia me ne,” këtu është hiri. Me vetëm Perëndia, mjaft mirë mund të na kapte tmerri, por “Perëndia me ne” na frymëzon me shpresë dhe siguri.
“PERËNDIA ME NE” BEGENISJE E PAKRAHASUESHME
Ky Emanuel i hirshëm “Perëndia me ne” ishte Krijuesi i madh. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij dhe pa Atë nuk u bë asgjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:2). Ai mbretëroi në Qiell duke qenë i barabartë me Atin. Engjëjt gjenin ëndje të madhe ta nderonin, çdo serafin do të ngrihej me urdhrin e Tij, e gjithë ushtria e qiellit do të përkulej në adhurim te këmbët e Tij. Atij i këndoheshin himne ditë e natë nga të gjithë koristët e shenjtë. Atij nuk i mungoi lavdërimi, as nuk i mungonin shërbëtorët, legjione engjëj ishin gjithmonë gati nën urdhrat e Tij, duke dëgjuar zërin e Fjalës së Tij. Gjithashtu gjithë fuqitë e natyrës ishin nën kontrollin e Tij. Nuk i mungonte asgjë për ta bërë të lavdishëm. Të gjitha gjërat ishin të Tijat bashkë me pushtetin për të bërë më shumë nëse do të ishte e nevojshme. Ai me të vërtetë mund të thoshte: “Po të kisha uri, nuk do të thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat” (Psalmi 50:12).
Ishte ky Perëndi, i bekuar përjetë, i Cili kishte qenë nga përjetësia me Perëndinë dhe në të Cilin Perëndia gjente ëndje të pafundme, i Cili i vështronte njerëzit me syrin e dashurisë. Ai që lindi në grazhdin e Betlehemit, Ai që jetoi këtu jetën e një fshatari, duke punuar me mund dhe duke vuajtur, ishte një me të Përjetshmin. Me vend shpalli Isaia në vizionin e Tij profetik titujt mbretërorë të “Fëmijës” që do të lindte dhe “Birin” i Cili kur të mbushej koha do të na jepej ne dhe për ne: “Mbi supet e Tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i Admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i Paqes” (Isaia 9:6).
Le të depërtojë thellë në shpirtrat tanë kjo e vërtetë, se ishte Perëndia Vetë i Cili erdhi nga Qielli për të na shpëtuar nga shkatërrimi. Nuk ishte një qenie me status më të ulët, jo si një nga ne, por ishte “Perëndia Vetë” i Cili na deshi me një dashuri të përjetshme dhe të pafundme. E kam peshuar shpesh në mendjen time këtë mendim, por kurrë nuk kam qenë në gjendje ta shpreh siç kam dëshiruar. Nëse do të më thuhej se të gjithë bijtë e njerëzve duan t’ia dinë për mua, kjo do të ishte si një pikë ujë e krahasuar me Vetë të Përjetshmin të tregojë favor ndaj meje. Nëse do të më thuhej se të gjithë princat e tokës janë përkulur deri te këmbët e një të varfri dhe kanë lënë mënjanë të gjithë titujt e tyre për të plotësuar nevojat e tij, kjo gjë do të cilësohej si dashamirësi begenisëse, por një veprim i tillë nuk do të ishte i denjë as të përmendej në krahasim me atë begenisje të pafund dhe dashuri të pakrahasueshme që solli Shpëtimtarin nga qiejt për të shpëtuar dhe shpenguar rebelë kaq të pavlerë si ne. Nuk është e mundur që e gjithë begenisja e gjithë njerëzve të mirë dhe të dhembshur që kanë jetuar ndonjëherë mbi tokë të jetë më e madhe sesa një kokërr gruri që gjithsesi nuk do ta lëvizte dot peshoren, krahasuar me malet e përjetshme të dashurisë së mrekullueshme të Shpëtimtarit.
Çfarë begenisje e mahnitshme që Perëndia, i Cili bëri të gjitha gjërat, të merrte natyrën e një prej krijesave të Tij, që Vetë-ekzistuesi të bashkohej me krijesën dhe i Plotfuqishmi të lidhej me të dobëtin dhe të vdekshmin! Në Mishërimin e Tij, Zoti ynë Jezu Krisht zbriti në thellësitë më të mëdha të poshtërimit, duke hyrë në aleancë me një natyrë që nuk zinte vendin kryesor në shkallën e ekzistencës. Do të kishte qenë një begenisje e mrekullueshme për të pafundmin dhe të pakrahasueshmin Perëndi nëse do të merrte mbi veten e Tij natyrën e ndonjë qenie frymërore fisnike, si për shembull të serafinëve apo kerubinëve.
Bashkimi i Krijuesit Hyjnor me çfarë do frymë të krijuar do të kishte qenë begenisje e pakrahasueshme, por për Perëndinë të bëhej një me njeriun, është begenisje tejet më e madhe. Sill ndër mend se në personin e Krishtit, ana njerëzore nuk ishte thjesht një frymë e pavdekshme, por gjithashtu edhe një frymë e vuajtur, e uritur, e vdekshme, mish dhe gjak. Këtu Zoti ynë mori për Vete gjithë materien që formon një trup njerëzor dhe ky trup fund i fundit është i formuar nga pluhuri i tokës, një material që gjendet gjithkund rrotull nesh. Nuk ka asgjë në trupin tonë njerëzor përveç asaj që gjendet në substancën e tokës ku jetojmë. Ne ushqehemi nga çka rritet nga toka dhe kur vdesim, kthehemi prapë në pluhur nga ku kemi dalë.
A nuk është gjë e çuditshme që kjo pjesë më e papërpunuar e krijimit, kjo pjesë më e ulët, ky pluhur i tij, megjithatë të bashkohej me Atë qenie Hyjnore të pastër, të pakrahasueshme për të Cilin ne dimë aq pak dhe për të Cilin nuk mund të kuptojmë asgjë realisht? Oh çfarë begenisje! Duhet t’ia lë këtë medoemos meditimeve të kohës tuaj të qetë me Zotin. Qëndroni aty me një frikë nderimi. Jam i bindur që asnjë njeri nuk ka ndonjë ide të saktë sa begenisje e mrekullueshme që ishte për Perëndinë të banonte ashtu në mish njerëzor dhe të ishte “Perëndia me ne.”
Megjithatë për të kuptuar këtu diçka që është akoma më e jashtëzakonshme, kujtoni se krijesa, natyrën e të cilës Krishti mori, ishte një qenie që pati mëkatuar kundër Tij. Mund ta konceptoj deri diku që Zoti të marrë natyrën e një race që nuk ka rënë asnjëherë, por çfarë mrekullie! njeriu u rebelua kundra Perëndisë dhe megjithatë njeri u bë Krishti, që të mund të na çlirojë nga pasojat e rebelimit tonë dhe të na ngrejë më lart sesa pastërtia jonë e parë. “Oh çfarë thellësish këtu!” është e gjitha që mund të themi, ndërsa shohim dhe mrekullohemi nga kjo përfillje e dashurisë Hyjnore.
“PERËNDIA ME NE” MISTERI I MISTEREVE
Do të mbetet për ne përherë misteri i mistereve që Perëndia Vetë u shfaq në mish. Perëndia i padukshëm u shfaq; Perëndia frymë banoi në mish të vdekshëm. Perëndia i pafund, pa masë e pa kufij u shfaq në mish. Çfarë distance të pafund mendimi ynë duhet të kapërcejë nga Hyjnia vetë-ekzistues dhe si i tillë plot fuqi dhe vetë-mjaftueshmëri, deri sa të kemi zbritur te niveli i poshtëm fare i mishit të gjorë njerëzor që është në rastin më të mirë veç bar dhe në thelbin e tij jo më shumë se pluhur i gjallë! Ku mund të gjejmë një kontrast më të madh sesa midis Perëndisë dhe mishit?
Megjithatë të dy janë bashkuar në mënyrë të përsosur në Mishërimin e Jezu Krishtit, Shpëtimtari i të humburve. “Perëndia u shfaq në mish” (1 Timoteut 3:16) me të vërtetë Perëndi, jo Perëndi i kthyer në njeri, por Perëndia si Perëndia. Ai u shfaq në mish të vërtetë, jo në trajtë njeriu të hyjnizuar si mbinjerëzor, por në mish të vërtetë. Përderisa kjo e vërtetë e pashoqe është “e padiskutueshme,” le të mos hyjmë në ndonjë polemikë në lidhje me të, por le të meditojmë për të me respekt e nderim. Çfarë mrekullie begenisje që kemi këtu, që Perëndia u shfaq në mish! Ky është një subjekt jo dhe aq për fjalë a shkrim se sa për t’u peshuar thellë në zemër. Kërkon që ne të ulemi në heshtje dhe të konsiderojmë se si Ai që na bëri, u bë si një nga ne; se si Ai që është Perëndia ynë, u bë Vëllai ynë njeri; se si Ai që adhurohet nga engjëjt, njëherë e një kohë u shtri në grazhd; se si Ai që ushqen çdo krijesë të gjallë, pati uri dhe etje; se si Ai që si Perëndi mbikëqyr gjithë botët, si njeri u bë të flinte, të vuante dhe të vdiste si ne vetë. Kjo nuk është një thënie që besohet lehtë.
Nëse Ai nuk do të ishte parë nga shumë dëshmitarë, në mënyrë të tillë që njerëzit e prekën, e panë me sytë e tyre dhe e dëgjuan të flasë, nuk do të kishte qenë diçka e lehtë për t’u pranuar që një Person aq Hyjnor të shfaqej ndonjëherë në mish. Është një begenisje e habitshme. Dhe gjithashtu është një bekim i mahnitshëm, sepse shfaqja e Perëndisë në mish na kalon mijëra bekime. Ylli i Betlehemit është ylli i mëngjesit të shpresës për besimtarët. Tani njeriu është më afër Perëndisë se të gjitha krijesat e tjera të Tij. Tani midis njeriut të gjorë e të vockël dhe Perëndisë së pafund ka një lidhje bashkimi e llojit më të mrekullueshëm. Zoti Jezu Krisht është Perëndi dhe njeri në një Person të vetëm. Kjo e sjell natyrën tonë njerëzore shumë afër Perëndisë dhe duke bërë këtë gjë e fisnikëron natyrën tonë, na ngre lart nga plehrat dhe na ul mes princash, ndërkohë që në të njëjtën kohë, na pasuron duke i dhënë natyrës tonë njerëzore gjithë lavdinë e Krishtit Jezus, në të Cilin banon trupërisht e gjithë plotësia e Hyjnisë.
Ngrini sytë lart ju bijtë e shkelur të njerëzve, sepse keni një vëllazëri me Krishtin dhe Krishti është Perëndia. O ju që keni filluar të përçmoni vetveten dhe keni filluar të mendoni që keni ardhur në këtë botë vetëm për t’u shfrytëzuar pa pushim dhe për të qenë skllevër të mëkatit, ngrini kokën dhe shikoni për shpengim te Biri i njeriut, i cili ka këputur vargonjtë e robërisë! Nëse ju jeni besimtarë në Krishtin e Perëndisë, atëherë jeni edhe bij dhe bija të Perëndisë dhe “nëse jeni bij e bija, atëherë jeni trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin”.
Ka një ngushëllim të madh në këtë të vërtetë, si dhe begenisje dhe bekim, sepse nëse Biri i Perëndisë u bë njeri, atëherë Ai më kupton dhe ka të njëjtat përjetime si ne. Ai e kupton në vazhdimësi papërshtatshmërinë time madje për ta adhuruar Atë. Ai i njeh prirjet e mia për t’u lodhur dhe për t’u ftohur në shërbimin e Tij. Ai i njeh dhimbjet e mia, sprovat e mia dhe trishtimet e mia, po,
“Ai e di çfarë janë tundimet më të forta,
sepse Ai ka ndjerë të njëjtën gjë”
Njeri, me të vërtetë njeri, megjithatë i ulur në të djathtë të Atit, Ti o Shpëtimtar i bekuar, je ëndja e shpirtit tim! A nuk gjendet në këtë të vërtetë ngushëllimi më i madh për gjithë njerëzit e Perëndisë? Dhe veç kësaj ka edhe mësime të hirshme, sepse Perëndia u shfaq në mish. Nëse dëshirojmë të shohim Perëndinë, duhet ta shohim në Krishtin Jezus. Apostulli nuk thotë që Perëndia si me një vel u fsheh në mish, megjithëse nën disa aspekte kjo mund të jetë e vërtetë, por ai thotë që “Perëndia u shfaq në mish.” Shkëlqimi i madh i diellit mund të na verbojë nëse e shohim drejtpërsëdrejti dhe duhet që ta shohim përmes një xhami të errët dhe atëherë dielli na shfaqet dhe po kështu lavdia madhështore e Hyjnisë së pafund nuk mund të rroket me sytë e mendjes tonë deri sa hyn në komunikim dhe bashkim me natyrën njerëzore dhe atëherë Perëndia na shfaqet. Shpirti im, asnjëherë mos u përpiq të shikosh drejtpërsëdrejti Perëndinë absolut, shkëlqimi i Hyjnisë do të të verbojë sytë, “sepse Perëndia ynë është një zjarr gllabërues” (Hebrenjve 12:29).
Mos kërko ta shohësh Perëndinë në zjarrin e ferrishtes që digjet, as në vetëtimën mbi Malin e Sinait, por ji i kënaqur duke e parë në njeriun Krishtin Jezus, sepse aty Perëndia u shfaq. As gjithë lavdia e qiellit dhe detit, as çuditë e Krijimit dhe të Providencës, nuk mund ta shfaqin Hyjninë siç e shfaq Biri i Marisë, i Cili nga grazhdi vajti në Kryq dhe nga kryqi në varr dhe nga varri në fronin e Tij të përjetshëm në të djathtën e Atit të Tij në lavdi.
Që “Perëndia u shfaq në mish” është një nga doktrinat më të jashtëzakonshmet që njeriu ka dëgjuar ndonjëherë. Nëse nuk do të ishte vërtetuar aq qartë, do të kishte qenë absolutisht e pabesueshme që Perëndia i pafund, që mbush të gjitha gjërat, i Cili ishte, është dhe që vjen, i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi, i Kudogjenduri në të vërtetë begenisi të fshihej si me një vel në rrobat e baltës sonë të ulët.
Ai na krijoi, megjithatë Ai denjoi të merrte e të bashkohej me mishin e krijesave të Tij. I Përjetshmi u bë një me të vdekshmit. Ai grazhd në Betlehem, mbushur me shkëlqimin e lavdisë së Atit, ishte me të vërtetë një pamje madhështore për ata që e kuptuan. Nuk do të ishte habi nëse Engjëjt do të marshonin përpara në turma nga brenda portave prej perlash, që të mund ta shihnin Atë, të Cilin nuk e nxënë Qiejt, tek gjente vend në një ahur me një çift bashkëshortësh modestë. Çudi e çudirave! Mrekulli e Mrekullive! Mister i Mistereve!
Madhështia e këtij misteri qëndron së pari në faktin se ka të bëjë me Perëndinë. Çfarë do lloj doktrine që ka lidhje me të Pafundin dhe të Përjetshmin është e rëndësisë më të madhe. Ne duhet të dëgjojmë me gjithë vëmendjen dhe zemrën tonë kur na duhet të mësojmë çfarë do lloj gjëje në lidhje me Perëndinë. Arsyeja na mëson se Ai që na bëri, Ai që na mban gjallë dhe që nga fjala e të Cilit trupat tonë shpejt do të kthehen në pluhur duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona.
Kthehuni këtej ju bij e bija të Adamit që keni dalë nga rruga dhe vini re këtë mister të madh, sepse Perëndia juaj është këtu. Gjithashtu, misteri i Perëndisë “i shfaqur në mish” do të duket për ju i madh nëse konsideroni nderin e madh që i është dhënë në këtë mënyrë njerëzimit. Sa në mënyrë të mrekullueshme njerëzimi është nderuar nga bashkimi i Perëndisë me natyrën njerëzore! “Sepse Ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit” (Hebrenjve 2:14). Cila do nga gjithë krijesat e Perëndisë që do t’i afrohej më afër Krijuesit medoemos që do të ketë vendin e parë në rangun e krijimit; cila do ta mbajë palmën e fitimtarit? A nuk duhet të zgjidhen si fitimtarë serafinët? A nuk duhet të jenë të parët e oborreve të Qiellit bijtë e dritës me krahë të shpejtë? Vini re dhe habituni, një krimb i tokës është i parapëlqyer në krahasim me engjëjt; është zgjedhur njeriu rebel dhe engjëjt pa mëkat janë anashkaluar! Natyra njerëzore është bërë një me Hyjnoren! Nuk ka më një humnerë ndarëse mes Perëndisë dhe njeriut të shpenguar. Perëndia është i pari, por më pas vjen njeriu në personin e Perëndisë njeri, Krishtit Jezus. Me të drejtë mund të themi me Davidin, “Kur mendoj qiejt e Tu, që janë vepër e gishtërinjve të Tu, hënën dhe yjet që Ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh? Megjithatë Ti e ke bërë pak më të ulët sesa engjëjt dhe e kurorëzove me lavdi dhe nder. E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të Tua dhe vure çdo gjë në këmbët e tij!” (Psalmi 8:3-6).
Njeriu u bë mbretëror kur Krishti u bë njeri. Njeriu u lartësua kur Krishti u poshtërua. Tani njeriu mund të shkojë lart te Perëndia ndërkohë që Perëndia ka ardhur poshtë te njeriu. Ky është një mister i madh, apo jo? Një mister, sigurisht, por i madh në çdo drejtim. Tregoni kujdes që mos ta përçmoni, që të mos humbisni dobinë e madhe që rrjedh tek njeriu përmes këtij kanali të artë.
“Perëndia me ne,” Ura lidhëse e humnerës së madhe
Ai, duket se është përjetësisht kaq larg prej nesh. Ai është i pafund, ndërsa ne jemi aq krijesa të vogla. Gjendet një humnerë e madhe e pakapërcyeshme midis njeriut dhe Perëndisë, edhe pse jemi krijesa të Tij, por Ai, i Cili është Perëndia, u bë gjithashtu edhe njeri. Nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë që Perëndia të merrte natyrën e engjëjve e të bashkohej e të bëhej një me ta, prandaj mund të themi që midis Hyjnisë dhe natyrës së engjëjve mbetet një largësi e pafund, por nga ana tjetër Zoti në të vërtetë është bërë një me natyrën njerëzore. Prandaj nuk ka më një humnerë të madhe mes Atij dhe ne vetë. Përkundrazi, këtu kemi një bashkim të mahnitshëm. Hyjnia është bërë një me njerëzimin.
O shpirti im, ti nuk je më si një jetim i mjerë e i vetmuar, duke u përpjekur të kalosh në anën tjetër të detit të thellë për të shkuar pas Atit tënd, që ka ikur tepër larg dhe nuk të dëgjon dot; nuk je më si një jetim i lënë zhveshur dhe i pa ndihmë që qan dhe psherëtin, ngaqë Krijuesi i tij ka ikur shumë larg dhe nuk ia plotëson dot nevojat dhe nuk ia dëgjon dot thirrjet! Jo, Krijuesi yt është bërë si ti. A është e folur e rëndë që po përdor? Ai pa të Cilin nuk u bë as edhe një nga ato që janë bërë, u bë mish dhe Ai u bë mish në një mënyrë të tillë që u tundua në të gjitha gjërat njësoj si ne, por pa mëkat (Gjoni 1:3,14; Hebrenjve 4:15).
O njerëzim, a ka pasur ndonjëherë për ty, të tillë lajm të mirë si ky? Njerëzim i mjerë, ti krimb i dobët i pluhurit, shumë më tepër i ulët sesa engjëjt, ngrije koke dhe mos ki frikë! Njerëzim i mjerë, i lindur në dobësi, që jeton për rropatje, mbuluar nga djersa dhe ja në fund fare vdes për t’u ngrënë nga krimbat, mos ki turp as në praninë e serafinëve, sepse pas Perëndisë është njeriu dhe madje as edhe një krye engjëll nuk mund të hyjë në mes; jo aspak, as edhe thjesht pas Perëndisë, sepse Jezusi, që është Perëndia është njeri gjithashtu. Jezu Krishti përjetësisht Perëndi, lindi, jetoi dhe vdiq siç ndodh edhe me ne. Zoti ynë Jezu Krisht është në një farë kuptimi më plotësisht njeri sesa ç ‘ishte Adami. Adami nuk u lind, Ai u krijua si njeri. Adamit asnjëherë nuk iu desh të ndeshej me rreziqet dhe dobësitë e fëmijërisë. Ai nuk e njohu miturinë. Ai u krijua i rritur. Atit Adam nuk mund t’i vijë keq për dobësitë e mia si foshnjë dhe fëmijë. Por sa njeri Jezusi është! Ai nuk e fillon me ne në mesin e jetës siç ndodhi me Adamin; Ai u tund në djep si ne, Ai na shoqëron në dhimbjet, brishtësinë dhe dobësitë e foshnjërisë dhe Ai vazhdon me ne madje deri në varr. Ka ngushëllim të ëmbël në mendimin se Ai që është në “këtë moment Perëndi, ishte njëherë e një kohë një foshnjë, kështu që edhe nëse shqetësimet e mia janë të vogla dhe madje të parëndësishme dhe se në krahasim me gjërat që Ai hoqi nuk kanë ndonjë vlerë, se mund gjithsesi të shkoj tek Ai dhe t’ia parashtroj, sepse Ai ishte një herë e një kohë një fëmijë.
Megjithëse të mëdhenjtë e tokës mund të mos t’u bëjë përshtypje një fëmijë i varfër dhe me përqeshje mund të thonë, “Ti je tejet i parëndësishëm për t’u vënë re dhe nevoja jote është tejet e vockël për të ndjellë dhembshuri”, kujtoj me gëzim të përulur se Mbreti i Qiellit u mbështoll me pelena dhe u mbajt në krahët e një gruaje dhe prandaj mund t’i tregoj Atij të gjithë trishtimet e mia. Sa gjë e mrekullueshme që Ai ka qenë një fëmijë dhe megjithatë Perëndia i bekuar përjetë!
Fëmija i Shenjtë bëhet ura lidhëse e humnerës së madhe midis meje dhe Perëndisë. Nuk ka pasur asnjëherë temë të një kënge më të ëmbël sesa kjo, ardhja e Hyjnisë deri te brishtësia njerëzore.
Kur Perëndia shfaqi fuqinë e Tij përmes veprave të duarve të Tij, yjet e mëngjesit kënduan së bashku dhe bijtë e Perëndisë bërtitën nga gëzimi, por kur Vetë Perëndia shfaqet, çfarë melodie do të mjaftonte vallë për psalmin madhështor të habisë adhuruese?
Kur urtësia dhe fuqia shfaqen, këto nuk janë veçse atribute të Hyjnisë, por në mishërimin e Krishtit është Vetë Personi Hyjnor i cili është shfaqur, megjithëse Ai në një farë mase është fshehur në mishin tonë prej balte të kësaj toke. Maria me vend këndoi, duke pasur parasysh se toka dhe qielli madje edhe tani janë të mahnitur me hirin begenisës, me anë të cilit “Fjala u bë mish dhe banoi mes nesh” (Gjoni 1:14).
Ne në asnjë çast nuk mund të mendojmë se Perëndia qëndron i ulur në qiell, indiferent ndaj nevojave dhe pikëllimeve njerëzore, sepse Ai na ka vizituar në gjendjen tonë të ulët njerëzore. Nuk ka pse të vajtojmë më gjatë ngaqë nuk marrim dot pjesë në lavdinë morale dhe pastërtinë e Perëndisë, sepse nëse Perëndia në lavdi mund të vijë poshtë te krijesat e Tij mëkatare, sigurisht që është më pak e vështirë për Të ta mbajë atë krijesë të larë me gjak dhe të pastruar deri lart në rrugën e shndritshme, që të shpenguarit të mund të ulen përgjithmonë me Të në fronin e Tij.
Le të mos përfytyrojmë më, në trishtim të thellë, se nuk mund t’i afrohemi Perëndisë, aq sa Ai nuk mund të dëgjojë lutjet tona as të plotësojë nevojat tona, sepse Jezusi u bë kockë e kockave tona dhe mish i mishit tona dhe duke e ulur kokën e Tij deri në vdekje për ne, Ai ka përuruar një rrugë të re dhe të gjallë me anë të së cilës mund të vijmë me guxim dhe të kemi hyrje te froni i hirit qiellor.
Engjëjt i kënduan ngjarjes të lindjes së Krishtit, megjithatë mbase zor se e kanë ditur pse e bënë një gjë të tillë. A mund ta kuptonin pse Perëndia u bë njeri? Ata duhet ta kenë ditur se bëhej fjalë për një mister të madh begenisjeje, por madje edhe mendjet e tyre të mprehta zor se mund të rroknin gjithë rrjedhojat e dashura që sillte Mishërimi, por ne e shohim të gjithë dhe e kuptojmë plotësisht planin madhështor.
Grazhdi i Betlehemit ishte plot me lavdi. Në Mishërimin e Krishtit ishte mbështjellë i gjithë bekimi me anë të cilit shpirti i shkëputur nga thellësitë e mëkatit, ngrihet lart në lartësitë e lavdisë. A nuk duhet të na prijë njohuria jonë më e qartë në lartësi kënge të paarritshme nga hamendjet engjëllore? A do të lëvizin vallë buzët e kerubinëve në sonata të zjarrta ndërsa ne që jemi shpenguar nga gjaku Perëndisë së mishëruar do të të heshtnim në fajësi dhe mosmirënjohje?
“A nuk kënduan krye engjëjt ardhjen Tënde?
A nuk mësuan barinjtë melodinë për Ty?
Turpi do të më mbulonte si mosmirënjohës,
Nëse gjuha ime nuk do të të thurte lavdi.”
“Perëndia me ne” në të gjitha situatat
DUKE QENË “me ne” në natyrën tonë, Perëndia është “me ne” në gjithë udhëtimin e jetës tonë. Zor se gjejmë ndonjë vend në marshimin e jetës ku Jezusi nuk ka ndaluar, apo ndonjë rrugë të lodhshme që Ai nuk e ka shkelur. Nga porta e hyrjes deri te dera që mbyll udhëtimin e shtegtarit, mund të shihen gjurmët e Jezusit. A ishit njëherë e një kohë në djep? Ai ishte atje. A keni qenë fëmijë nën autoritetin prindëror? Edhe Krishti ka qenë fëmijë në shtëpinë e vet në Nazaret. Jeni përballur me betejat e jetës? Zoti dhe Mjeshtri juaj bëri të njëjtë gjë dhe megjithëse Ai nuk jetoi një jetë të gjatë, prapë se prapë përmes mundit dhe vuajtjes pa pushim Ai kishte pamjen e rropatur që zakonisht shoqëron moshën e vjetër. Ai nuk ishte më shumë sesa tridhjetë vjeç kur judenjtë i thanë, “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç” (Gjoni 8:57) duke nënkuptuar qartë me këtë se Ai dukej më i moshuar seç ishte në të vërtetë. A jeni vetëm? Po kështu ishte Ai në shkretëtirë, në majë të malit dhe mes trishtimit të kopshtit të Gjetsemanisë. A jeni të angazhuar shoqërisht? Po kështu edhe Ai u mundua mes turmash të mëdha. Nuk ka vend ku keni qenë, në majën më të lartë apo thellësinë më madhe, në tokë apo në det, ditën apo natën e errët, ku Jezusi nuk ka qenë aty para jush. Ne me të vërtetë mund të themi për Shpengimtarin tonë se Ai ishte:
“Një njeri aq i shumanshëm dhe i rrahur me jetën sa Ai
sa gjithë njerëzimin personifikonte e jo veç një njeri,”
Ai ishte një njeri tërësisht i harmonishëm dhe megjithatë jetët e shenjtorëve duken si të përmbledhur në Të. Dy besimtarë mund të jenë të ndryshëm nga njeri tjetri dhe megjithatë do të vinin re se jeta e Krishtit ka ngjashmëri me të tyren. Njëri mund të jetë i pasur dhe një tjetër i varfër, njëri që punon pa pushim dhe tjetri vuan me durim, megjithatë secili prej tyre ndërsa studiojnë historinë e Shpëtimtarit do të thoshin, “Shtigjet e Tij janë pothuajse njësoj me të miat.”
Ai u bë në të gjitha gjërat si vëllezërit e Tij. Çfarë gëzimi që na jep fakti se Zoti ynë është “Perëndia me ne,” jo thjesht këtu dhe atje apo tani dhe pastaj, por kudo dhe përgjithmonë! Në mënyrë të veçantë e shohim ëmbëlsinë e “Perëndia me ne” në pikëllimet tona. Nuk ka sëmbim zemre e madje asnjë dhimbje trupore që Jezusi nuk e ka duruar para nesh.
A e ndjen pickimin e varfërisë? Ai mund të thotë, “Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështesë kokën” (Mateu 8:20). A e ke provuar dhimbjen e vajtimit? “Jezusi qau” te varri i Llazarit. A jeni sharë për hir të drejtësisë dhe kjo ju ka trishtuar shpirtin? Ai tha, “Sharja më ka pikëlluar zemrën.” A jeni tradhtuar? Mos harro se dhe Ai gjithashtu kishte mikun e Tij të afërt që e shiti me çmimin e një skllavi. Çfarë stuhish ju kanë hedhur sa andej këndej që nuk kanë gjëmuar edhe përreth varkës së Tij? Kurrë nuk do të shkelni në ndonjë shteg armiqësie aq të errët, aq të zymtë, në dukje i pashkelur, ku ndërsa përkuleni nuk do të zbulonit gjurmët e të Kryqëzuarit. Në zjarre, në lumenj, në natën e ftohtë dhe nën diellin përvëlues, Ai thërret, “Jam me ty. Mos e humb, sepse Unë jam Bashkëudhëtari dhe Perëndia yt.”
Është mister i vërtetë që kur ju dhe unë do të mbërrijmë tek skena përmbyllëse e jetës, ne do të shohim se Emanueli ka qenë aty gjithashtu. Ai ndjeu dhimbjet dhe klithmat e vdekjes, Ai duroi djersët e gjakut të agonisë dhe etjen therëse të etheve. Ai e di se ç’do të thotë kur shpirti i torturuar ndahet nga mishi i gjorë, i dërrmuar dhe i zalisur dhe thirri siç do të thërrasim edhe ne “Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën Time!” (Lluka 23:46).
Po, Ai njohu edhe varrin, sepse atje Ai fleti dhe e la atë të parfumuar dhe të pajisur për ne si një shtrat pushimi dhe jo si një banese korruptimi.
Ai varr i ri në kopsht e bën Atë “Perëndia me ne” derisa ringjallja do të na thërrasë nga shtrati ynë i baltës për ta njohur Atë “Perëndia me ne” në jetë të re. Do të ringjallemi në ngjashmëri me Të dhe shikimi parë që do të shohin sytë tanë do të jetë Perëndia ynë i mëshiruar. Çdo besimtar i vërtetë mund të thotë me Jobin, “Unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë ” (Jobi 19:25-26).
Po unë në mishin tim do ta shoh Atë si siguruesi, Perëndia, Perëndia– njeri, Krishti Jezus. Dhe gjatë gjithë përjetësisë Ai do të ruajë shoqërinë më të afërt me ne. Për aq sa do të zgjasin epokat e përjetshme, Ai do të mbetet “Perëndia me ne.” A nuk ka thënë Ai vallë, “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Gjoni 14:19)? Si jeta e Tij njerëzore edhe ajo Hyjnore do të zgjasin përjetë, po ashtu edhe jeta jonë do të zgjasë. Ai do të banojë “mes nesh” dhe do të na çojë tek burimet e ujërave të gjalla dhe kështu do të jemi “përgjithmonë me Zotin.”
Pyesni veten nëse e dini se çfarë do të thotë “Perëndia me ne.” A nuk ka qenë Perëndia me ju në shtrëngimet tuaja, përmes ndikimit ngushëllues të Frymës së Shenjtë? A nuk ka qenë Perëndia me ju në hetimin e Shkrimeve? A nuk ka hedhur dritë Fryma e Shenjtë mbi Fjalën? A nuk ka qenë me ju Perëndia në bindjen tuaj për mëkat duke ju sjellë te Sinai? A nuk ka qenë Perëndia me ju për t’ju ngushëlluar duke ju sjellë te Kalvari? A e njihni kuptimin e plotë të atij Emri Emanuel “Perëndia me ne”?
Jo, ai që e njeh më mirë, njeh veç pak dhe sa keq! ai që nuk e njeh aspak, është me të vërtetë i paditur, aq i paditur saqë padituria e tij nuk është lumturi, por do të jetë dënimi i tij nëse nuk hiqet nga puna e efektive e Frymës së Shenjtë. Ai ju mësoftë kuptimin e këtij Emri!
Shpirti im përpiqu të luash melodinë e këtyre fjalëve “Perëndia me ne”. Më ço në shkretëtirë ku nuk ka bimësi, prapë mund të them “Perëndia me ne.” Më ço në oqeanin e egër dhe le të lëkundet anija ime nga dallgët e tërbuara dhe prapë do të them “Perëndia me ne”. Më vendos mbi rrezet diellore dhe më lë të fluturoj përtej detit perëndimor, prapë do të them “Perëndia me ne.” Lëre trupin tim të zhytet në thellësi të oqeaneve dhe le të fshihem në guvat e tij, prapë mund të them si një fëmijë i Perëndisë “Perëndia me ne.”
Kjo është një nga kambanat e Qiellit, le t’i biem edhe një herë: “Perëndia me ne.” Është refreni i sonetave të parajsës: “Perëndia me ne”. Është melodia e këngës së serafinëve: “Perëndia me ne.” Është një nga notat e Vetë të Përjetshmit, kur gëzohet me Kishën e Tij, ndërsa këndon “Perëndia me ne.”
Tregojuani gjithë kombeve që ky është Emri i Atij që lindi në Betlehem, “Perëndia me ne,” Perëndia me ne përmes Mishërimit të Tij, sepse Krijuesi hyjnor i botës eci mbi këtë glob, Ai, i Cili bëri dhjetëra mijëra planetë, secili prej tyre më i fuqishëm dhe më i madh se kjo tokë, u bë banor i këtij atomi të vogël. Ai që ka qenë nga përjetësia në përjetësi erdhi në këtë botë të përkohshme dhe qëndroi mbi rripin e ngushtë të tokës mes dy detesh të mëdhenj. Emri i Tij është me të vërtetë i mrekullueshëm: “Emanuel.” Është misteri i urtësisë: “Perëndia me ne.”
Dijetarët mendojnë mbi këtë dhe habiten, engjëjt dëshirojnë të shohin aty, arsyetimi nuk e çon plumbçen e vet as deri në gjysmën e thellësisë, krahët e shqiponjës së shkencës nuk ngjiten dot aq lart dhe sytë e mprehtë të kërkuesit nuk e rrokin dot. “Perëndia me ne” është frika e ferrit. Satanai trembet kur e dëgjon, legjionet e tij ia mbathin, dragoi me krah të zinj i gropës së ferrit zmbrapset. Lëreni t’ju sulmojë dhe vetëm pëshpëritni fjalën “Emanuel” dhe ja bie përdhe menjëherë i mundur dhe i mposhtur. Satanai dridhet kur dëgjon atë Emër, “Emanuel.” Është fuqia e mundit të të Krishterit. Si mund ta predikojë Ungjillin, si mund të ulet në gjunjë në lutje, si mund të shkojë misionari në tokë të huaj, si mund të qëndrojë martiri te turra e druve, si mund ta shpallë rrëfyesi Mjeshtrin e tij, si mund të punojnë njerëzit nëse ajo fjalë e vetme do t’u hiqej? “Emanuel.”
Është ngushëllimi i atij që vuan, është ilaçi shërues i pikëllimit të tij, është lehtësuesi i mjerimit të tij, është gjumi që Perëndia i jep të dashurve të Tij, është pushimi pas lodhjes dhe rropatjes. Ah! dhe më shumë se kaq, është sonata e “përjetësisë”, është “Aleluja e Qiellit”, është “brohoritja e të përlëvduarve”, është “kënga e të shpenguarve” “është “refreni i engjëjve”, është “oratorio e përjetshme e orkestrës madhështore të qiellit. ”
“Lavdi, Emanuelit të madh, i tëri Hyjnor, në Ty shkëlqen lavdia e Atit Tënd. Ti më i shkëlqyeshmi, më i ëmbli, më i hijshmi, që kanë parë sytë ndonjëherë apo që engjëjt kanë njohur ndonjëherë”.
Perëndia – Njeri, Krishti Jezus
Ishte një doktrinë e re dhe mahnitëse kur iu predikua për herë të parë dijetarëve paganë që Perëndia do të hynte me njerëzimin në një lidhje aq të afërt me Veten e Tij sa realisht dhe me të vërtetë të ishte njeri dhe Perëndi në të njëjtin person, por është një doktrinë që duhet të pranohet prej jush ose përndryshe nuk mund ta pranoni Krishtin.
Mjeshtri im nuk do të mbetet i kënaqur thjesht me pohimin se karakteri i Tij është i dashur, doktrina e Tij është e pastër dhe mësimi i Tij moral tejet i shkëlqyeshëm. Ai nuk do të jetë i kënaqur thjesht me pohimin se Ai është një Profet më i madh se çdo profet para Tij dhe pas Tij. Ai nuk do të mjaftohet me pohimin tuaj se Ai është një Mësues i dërguar nga Qielli dhe një qenie i Cili në bazë të virtyteve të Tij është tani lartësuar në një vend të veçantë në Qiell.
Të gjitha këto janë të vërteta, por nuk është e gjithë e vërteta; ju duhet të besoni gjithashtu që Ai i Cili si njeri lindi nga një Virgjëreshë dhe u përkund në prehër të saj në Betlehem ishte, si Perëndi, askush tjetër përveç Zotit të përjetshëm, pa fillim ditësh apo mbarim vitesh. Ju nuk e pranoni Krishtin siç duhet dhe me të vërtetë nëse nuk besoni se Ai është realisht njeri dhe me të vërtetë Hyjni.
Në fakt, çfarë ka për të pranuar tjetër, nëse nuk e pranoni këtë të vërtetë? Një Shpëtimtar i Cili nuk është Hyjnor, nuk mund të jetë Shpëtimtar për ne. Si mund të çlirojë një njeri i thjeshtë, sado i shquar të jetë, njerëzit e tij nga mëkate si të miat dhe tuajat? Si mund ta mbajë ai barrën e fajit tonë më shumë sesa ç ’mund ta mbajmë ne vetë, nëse ai nuk ka asgjë më shumë sesa çdo njeri tjetër të virtytshëm? Një engjëlli do t’i merreshin këmbët nga barra e krimit të njeriut dhe aq më tepër edhe me një njeri të përsosur, nëse një i tillë mund të gjendej. Ishin të nevojshme shpatulla të fuqishëm,
“Që mbajnë shtyllat e mëdha të tokës,”
për të mbajtur peshën e mëkatit njerëzor dhe ta çonin në shkretëtirën e harresës. Prandaj pra, në mënyrë që të shpëtoheni prej Tij, duhet ta pranoni Krishtin si Perëndi dhe gjithashtu si njeri.
Gjoni e quan “Fjala” apo e folura e Perëndisë. Perëndia përmes krijimit të botës e ka zbuluar Vetveten si të thuash në mënyrë të paqartë dhe të padallueshme, por në Birin e Tij e ka zbuluar Vetveten siç një njeri shpreh mendimet e tij më të thella “përmes të folurës së qartë dhe të kuptueshme.” Jezusi është për Atin çfarë është për ne e folura. Ai është shpalosja e mendimeve të Atit, zbulesa e zemrës së Atit. Ai që ka parë Krishtin ka parë Atin. “A do që të të njoh?” tha Sokrati, atëherë fol,” sepse e folura zbulon njeriun. A do të njohësh Perëndinë? Dëgjo Krishtin, sepse Ai është Fjala e Perëndisë që zbulon thelbin e zemrës së Hyjnisë.
Megjithatë, në mënyrë që të mos mendojmë se Jezusi ishte thjesht të shprehurit, thjesht një fjalë e folur për t’u harruar më pas, Gjoni tregon kujdes të posaçëm që ne të dimë se Jezusi është një Person real dhe i vërtetë, prandaj dhe ai na thotë se Fjala Hyjnore nga plotësia e të Cilit ne kemi marrë është me siguri Perëndi.
Nuk mund të ketë të folur më të qartë dhe më të dallueshme sesa ajo që përdor Gjoni në lidhje me Jezusin. Ai i njeh Atij përjetësinë që i përket vetëm Perëndisë. “Në fillim ishte Fjala” (Gjoni 1:1). Ai prerazi deklaron Hyjninë e Tij, “Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Ai i njeh Atij fuqi krijuese: “Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij dhe pa Atë nuk u bë as edhe një nga ato, që janë bërë” (Gjoni 1:3). Ai i njeh Atij vetë – ekzistencë, që është karakteristika thelbësore e Perëndisë, “Në Të ishte jeta” (Gjoni 1:4). Ai deklaron për Të një natyrë karakteristike e Perëndisë. “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka asnjë pikë errësirë” (1Gjoni 1:5) dhe Ai thotë që Fjala është “drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.” Asnjë shkrimtar nuk mund të jetë më përcaktues në shprehjet e përdorura dhe përtej çdo lloj dyshimi ai shpalos Hyjninë e vërtetë dhe autentike të të Bekuarit të Cilin ne të gjithë duhet ta pranojmë nëse duam të kemi shpëtim të përjetshëm.
Megjithatë Gjoni nuk rri pa shpalosur që Zoti ynë është gjithashtu njeri. Ai thotë: “Fjala u bë mish” (Gjoni 1:14), jo thjesht mori përsipër natyrën njerëzore, por u bë mish, jo thjesht njeri për sa i përket pjesës së Tij fisnike, shpirtit të Tij, por njeri për sa i përket mishit të Tij, elementit të Tij më të ulët. Zoti ynë nuk ishte fantazmë, por siç deklaron Gjoni në letrën e tij të parë, dikush që mund të shihej, të dëgjohej, të prekej dhe të kapej.
“Fjala u bë mish dhe banoi mes nesh” (Gjoni 1:14). Ai banoi mes bijve të njerëzve, në strehën e varfër të një zdrukthëtari, në shpellat dhe malet e tokës si banesa e Tij e errët mbas vdekjes. Ai banoi mes mëkatarëve dhe të sëmurëve, mes vajtuesve dhe të vdekshmëve, duke përmbushur qytetarinë e Tij mes nesh, duke u bërë i bindur deri në vdekje “madje deri në vdekjen e kryqit.” Kështu, ndërsa Ai është një person kaq hyjnor, sa qielli dhe toka dridhen nga madhështia e pranisë së Tij, megjithatë Ai është një person kaq i përulur saqë Ai nuk ka turp të na thërrasë “Vëllezër.”
Perëndia – Njeri, Mrekulli e Fuqisë dhe Dashurisë
A keni menduar ndonjëherë mbi mrekullinë e fuqisë të shfaqur me formimin nga Zoti të një trupi njerëzor në gjendje të bashkohej me Hyjninë? Zoti ynë Jezu Krisht u mishërua në një trup, që ishte me të vërtetë një trup njerëzor, por megjithatë ai trup u përgatit posaçërisht në një mënyrë të mrekullueshme, për të qenë në gjendje të përmbante Hyjninë. Kontakti me Perëndinë është i tmerrshëm: “Ai shikon tokën dhe kjo dridhet; Ai prek malet dhe ato nxjerrin tym”. Ai vendos këmbën e Tij në Paran dhe shkrihet, dhe Sinai shpërbëhet nga flakët e zjarrit në praninë e Tij. Kaq shumë kjo e vërtetë ishte ngulitur në mendjet e shenjtorëve të hershëm, saqë ata thanë, “Asnjë nuk mund ta shohë Perëndinë dhe të jetojë” dhe megjithatë ja ku ishte një njeri që jo vetëm pa fytyrën e Perëndisë, por që madje u banua nga Hyjnia. Çfarë strukture njerëzore e mrekullueshme ishte kjo ku banoi prania e të Përjetshmit!
Pali e paraqet Shpëtimtarin tonë kur vjen në botë duke i thënë Atit të Tij: “po bëre gati një trup” (Hebrenjve 10:5). Me të vërtetë ishte një trup që u përgatit në mënyrë të mrekullueshme, “ajo gjë e shenjtë” ishte produkt i veçantë i fuqisë së mbinatyrshme të Frymës së Shenjtë. Ishte si trupi ynë, me nerva po aq të ndjeshme dhe me muskuj po aq të tendosur, me çdo pjesë e formuar po me aq delikatesë sa trupi ynë, megjithatë Perëndia ishte në të. Ishte një barkë e brishtë që mbante atë ngarkesë aq mahnitëse.
O njeri Krishti Jezus si mund ta mbaje vallë Hyjninë brenda Teje? Ne nuk e dimë si ndodhi, por Perëndia e di. Le ta adhurojmë këtë fshehje të Plotfuqishmit në dobësi njerëzore, këtë konceptim të të Pakonceptueshmit, këtë shfaqe të të Padukshmit, këtë lokalizim të të Gjithëpranishmit. Gjuha njerëzore nuk mund ta shprehë siç duhet këtë të vërtetë të patregueshme. Mjafton të them që fuqia Hyjnore “u pa mrekullisht në ekzistencën e vazhdueshme të materializimit të trupit të Krishtit, që përndryshe do të shpërbëhej nga ai kontakt i mahnitshëm me Hyjninë ashtu siç u shfaq në Emanuelin, “Perëndia me ne.”
Krishti mori natyrën tonë njerëzore në kuptimin më të plotë të mundshëm. Trupi i Tij përmbante çdo gjë që përbën një trup njerëzor, mish, gjak, kocka, mendje, zemër, shpirt, kujtesë, imagjinatë, gjykim, çdo gjë që në mënyrë të natyrshme i përket një njeriu racional. Jezusi i Nazaretit ishte Njeriu i njerëzve, përfaqësuesi model i Njeriut. Mos e mendoni Atë si një njeri të hyjnizuar, siç edhe nuk do të guxonit ta konsideronit një Perëndi i njerikthyer, apo gjysmëperëndi. Mos i përzieni natyrat që u unifikuan në Të, as mos e ndani Personin në të cilin ato u bashkuan në mënyrë aq të mrekullueshme. Ai është veçse një Person, megjithatë aq me të vërtetë njeri sa edhe është “Perëndi i vërtetë sa Perëndia i vërtetë.” Ndërsa mendoni për këtë të vërtetë, thoni, “Ai që rri ulur në fron është njësoj siç jam unë, duke përjashtuar vetëm mëkatin.”
“Oh, çfarë gëzimi, ja atje ulet në mishin tonë,
Mbi një fron drite, dikush i lindur nga njeriu
Me shkëlqimin e përsosur të hyjnisë”
Shikoni çfarë dashurie të madhe na ka dhënë Perëndia, duke u bërë një me natyrën tonë! Sepse Ai kurrë më përpara nuk u bashkua me ndonjë krijesë tjetër. Mëshira e Tij plot dhembshuri ka qenë gjithmonë mbi të gjitha veprat e Tij, por këto ishin kaq ndryshe nga Ai sa një distancë e pamatshme ndante Krijuesin nga krijesat e Tij për sa i përket ekzistencës dhe marrëdhënies. Zoti pati bërë shumë qenie inteligjente, principata dhe pushtete për të cilat ne dimë shumë pak. Ne madje nuk e dimë se kush mund të jenë katër qeniet e gjalla që gjenden më afër pranisë së përjetshme, por Ai kurrë nuk u bë një me ndonjë prej tyre përmes një bashkimi të vërtetë me Personin e Tij. Por vini re se Ai u bashkua me njeriun, krijesën që vuan vdekjen për shkak të mëkatit të vet. Perëndia është bashkuar me njeriun dhe prandaj ne mund të jemi të sigurt se Ai e do atë me dashuri mahnitëse dhe se Ai ka qëllime dhe mendime shumë të mira kundrejt tij. Nëse biri i një mbreti martohet me dikë të një race rebele, atëherë mund të jemi të sigurt se ka perspektivë pajtimi, falje dhe restaurimi të asaj race. Duhet të ketë në zemrën e madhe të Hyjnorit mendime të mrekullueshme dhembshurie dhe dashuri përfillëse për mëkatarët fajtorë ose përndryshe Ai kurrë nuk do të kishte denjuar të merrte natyrën njerëzore për t’u bërë një me të. Le t’u biem cimbaleve të ëndjes së madhe dhe falënderimit, sepse Mishërimi është ogur i mirë për racën tonë.
Meqë Perëndia është bërë një me natyrën njerëzore, atëherë Perëndisë do t’i vijë keq për njeriun; Ai do të ketë dhembshuri “për të, Ai do të mbajë mend që është pluhur. Ai do tregojë dhembshuri mbi dobësitë dhe sëmundjet e tij”. Ju e dini sa e vërtetë është kjo gjë dhe çfarë hiri tregon Ai, sepse pikërisht Jezusi, i Cili u lind nga një grua në Betlehem, preket nga dobësitë tona, duke qenë se Ai u tundua në të gjitha gjërat ashtu si edhe ne. Kryeprifti unë i madh nuk do të përjetonte një dhembshuri të tillë, të afërt dhe praktike, nëse Ai nuk do të ishte bërë njeri. Madje megjithëse Ai është Hyjnor, nuk mund të kishte qenë i përkryer në dhembshuri ndaj nesh nëse nuk do të ishte bërë gjithashtu kockë e kockave tona dhe mish i mishit tonë. Autori i shpëtimit tonë mund të bëhej “i përkryer vetëm përmes vuajtjesh” (Hebrenjve 2:9) dhe për këtë qëllim ishte e nevojshme që Ai të bëhej pjesëmarrës i mishit dhe i gjakut dhe tani Biri i Perëndisë mund të jetë plotësisht i dhembshur me njeriun, sepse Ai është një me të në çdo gjë, përveç mëkatit.
E gjithë plotësia në Perëndinë – njeri
“Në Krishtin Jezus, gjendet e gjithë plotësia,
Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banonte
e gjithë plotësia. Në Të gjendet çdo gjë
që është thelbësore e Hyjnisë, sepse në
Të banon e gjithë plotësia e Hyjnisë”.
Po ashtu tek Ai gjendet e gjithë plotësia e përsosmërisë njerëzore, sepse ai Hyjni u shfaq në Të “trupërisht” (Kolosianëve 2:9). Pjesëmarrës i mishit dhe gjakut, i bërë në gjitha gjërat njësoj si vëllezërit e Tij, nuk i mungonte asgjë që ishte e nevojshme për sa i përket përsosmërisë njerëzore tek Ai. Gjaku i Tij ka një efikasitet të plotë shlyerje, sepse “gjaku i Jezu Krishtit … na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjonit 1:9). Në jetën e Tij ka drejtësi të plotë shfajësuese, sepse “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Lutja e Tij gjen fitore të plotë Hyjnore, sepse “Ai mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).
Ka fitore të plotë në vdekjen e Tij, sepse “duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe Ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin” (Hebrenjve 2:14). Ka një efikasitet të plotë në ringjalljen e Tij nga të vdekurit, sepse përmes saj “na rilindi për një shpresë të gjallë…. Për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë, dhe të pafishkur” (1 Pjetri 1:3-4). Në ngjitjen e Tij në qiell ka një triumf të plotë, sepse “kur Ai u ngjit në lartësi, e robëroi robërinë dhe u dha dhurata njerëzve” (Efesianëve 4:8).
Në Jezu Krishtin gjenden një plotësi bekimesh të patregueshëm, të panjohur, hir të plotë për të falur, për të ripërtërirë, për të shenjtëruar, për të ruajtur dhe për të përsosur. Në Të gjendet një bollëk e plotësi gjatë gjithë kohës, gjatë ditës e gjatë natës, ngushëllim të plotë në kohë pikëllimi, plotësi për të drejtuar në kohë begatie, plotësi të çdo atributi Hyjnor, plotësi urtësie, fuqie dhe dashurie ; një plotësi që është e pamundur ta hetosh apo ta eksplorosh. Në Të gjendet çdo gjë e përmbledhur në plotësi siç thotë Apostulli Pal në Letrën drejtuar Efesianëve “që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.” (Efesianëve 1:10)
“Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia” (Kolosianëve 1:19). Më kot përpiqemi ta tregojmë në hollësi mrekullinë e shenjtë të Jezusit. Kjo është një temë që do të shteronte fuqinë e një engjëlli,— plotësia që gjendet në Jezusin Kreun tonë dhe që gjendet përherë në Të për të përmbushur nevojën tonë. Ne mund ta kuptojmë disi se çfarë plotësie që duhet të jetë, kur mendojmë për numrin e madh të njerëzve që askush nuk mund ta numërojë, të cilët që të gjithë kanë marrë nga plotësia e Tij, hir mbi hir. Nuk ka asnjë prej tyre që ka marrë veç pak hir. Ata janë të gjithë siç e thotë dhe Rutherford “ borxhlinj deri në fyt të mëshirës së Tij” apo siç mund ta themi ndryshe “plot e përplot” jemi borxhlinj ndaj Tij. Ata janë kaq borxhlinj sa asnjëherë nuk do ta mësojnë sa borxh i kanë Zotit të tyre, por e ndjejnë se edhe një këngë e përjetshme nuk do të mjaftonte për të shprehur lavdërimin e tyre mirënjohës.
Plotësia e Krishtit është një plotësi e qëndrueshme. Apostulli Gjon thotë, “Dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së Tij” (Gjoni 1:16), dhe prapë se prapë e quan “plotësi”, sepse asnjëherë nuk bëhet më pak, sado qofshin ata që marrin prej saj. Ishte plotësi para se një mëkatar i vetëm erdhi aty të merrte faljen, ishte plotësi para se një shenjtor i vetëm të mësonte të pinte nga ai lumë, rrëketë e të cilit kënaqin Kishën e Perëndisë së gjallë dhe tani pasi mijëra dhe madje miliona shpirtra të shpenguar nga gjaku kanë marrë nga kjo rrëke jetëdhënëse, është po aq plot sa përherë. Ne zakonisht themi se nëse një fëmijë mbush një gotë me ujë nga deti, deti është po aq plot sa më përpara, por kjo nuk është e vërtetë në fakt, sepse deti ka një gotë ujë më pak. Por është realisht e vërtetë për Krishtin se jo vetëm kur kemi mbushur gota plot me ujë, sepse nevojat tona janë tepër të mëdha dhe nuk plotësohen me sasi të tilla të vogla, por edhe madje edhe kur kemi pirë dete plot me hir, dhe ne na duhet pikërisht aq sasi për të na çuar në qiell, në realitet mbetet aq hir në Të sa ç ‘kishte para se ne të shkonim tek Ai. Edhe pse kemi tërhequr nga thesari i dashurisë së Tij në atë shkallë aq të pamatshme sa nuk e kuptojmë, akoma mbetet aq mëshirë dhe hir në Krishtin sa kishte para se ne të fillonim të tërhiqnim prej Tij. Është “plotësi” akoma, edhe mbasi të gjithë shenjtorët kanë marrë prej saj.
Ka gjithashtu edhe një plotësi të qëndrueshme vërtetësie në Krishtin; pasi ta kesh dëgjuar për pesëdhjetë vite me radhë, do të shohësh më shumë prej plotësisë së saj sesa në fillim. Tema të tjera të lodhin herët apo vonë. Do ta sfidoja këdo të mblidhte një asamble të madhe njerëzish, vit pas viti me çdo temë tjetër përveç Jezu Krishtit. Ai mund t’i tërheqë dëgjuesit për një farë kohe, mund t’i magjepsë me zbulimet e shkencës apo me bukuritë e poezisë dhe oratoria e tij mund të jetë aq e shkëlqyer sa për një farë kohe mund të tërheqë turma duke u gudulisur veshët, por më pas shpejt do të largohen dhe do të thonë: “Nuk durohet më kjo, e dimë të gjithën tani”.
Çfarë do lloj muzike, veç asaj qiellore, bëhet shpejt e lodhshme, por oh nëse rapsodi luan në këtë harpë qiellore, megjithëse i mban gishtërinjtë gjithmonë në telat e saj të artë dhe i luan vakët dhe pa ditur si të luajë një instrument të tillë aq hyjnor, prapëseprapë melodia e Emrit të Jezusit dhe harmonia e ëmbël e të gjithë veprave dhe atributeve të Tij do të mbërthejë dëgjuesit dhe do të gëzojë zemrat e tyre si asgjë tjetër. Tema e dashurisë së Jezusit është e pashtershme. Megjithëse predikuesit kanë folur për një temë të tillë për shekuj e shekuj, mbetet akoma e freskët dhe e plotë.
Krishti i Mishëruar, Njohuria e Tij mbi mëkatin
Ai që erdhi të shpëtonte njerëzit nuk është askush tjetër veçse Perëndia, prandaj Ai është në gjendje ta shikojë mëkatin nga këndvështrimi i Perëndisë dhe ta kuptojë se çfarë i detyrohemi Perëndisë për shkak të mëkatit të njeriut. Duke pasur një natyrë të dyfishtë, duke bashkuar natyrën e Tij hyjnore me natyrën e Tij njerëzore, Ai ishte në gjendje të duronte dhimbje që njerëzimi nuk mund t’i duronte pa Hyjninë, të kishte një pamje të mëkatit në mendjen e Tij të pafundme dhe të tmerrit që e shoqëron, në mënyrë të tillë sa asnjë mendje e fundme nuk do të mund ta kishte duruar dot.
Ju mbase mendoni se mund ta kuptoni se çfarë është mëkati, mirëpo në fakt nuk mundeni. Mëkati është një ligësi tepër monstruoze për mendjen njerëzore për të njohur plotësisht lartësitë dhe thellësitë e tij, gjatësinë dhe gjerësinë e tij, por Krishti i Cili është Perëndia i mishëruar, plotësisht e dinte se çfarë ishte mëkati. Ai kishte vajtur deri në fund fare dhe e dinte sa thellë ishte. Ai e pa mirë mëkatin dhe ndjeu të gjithë tmerrin e padrejtësisë, mosmirënjohjes dhe ligësisë së tij. Ligësia e mëkatit goditi mendjen e Tij pa mëkat me gjithë forcën e tij të tmerrshme dhe pushtoi shpirtin e Tij të shenjtë me një tmerr të tillë që askush nuk mund ta duronte përveç Atij. Ai ishte në të gjitha drejtimet i përkryer dhe prandaj nuk kishte pse të vdiste. I takoi Atij që të vuante jo ngaqë Ai ishte Biri i Perëndisë apo Biri i njeriut, por sepse Ai ishte Shpenguesi, Garanti, Garancia, Zëvendësuesi i njeriut.
Kur unë kam ndjerë peshën e mëkatit tim, e rrëfej që jam ndjerë në raste të caktuara se është një barrë tepër e madhe për t’u hequr nga ndonjë pushtet i përfytyrueshëm, por nga ana tjetër kur kam parë shkëlqyeshmërinë e personit të Mjeshtrit tim, përsosmërinë e anës së Tij njerëzore, lavdinë e Hyjnisë së Tij, intensitetin e jashtëzakonshëm të dhimbjes që hoqi, vlerën e madhe të bindjes së Tij, jam ndjerë sikur mëkati im ishte tepër i vogël për të pasur nevojë për një flijim aq të madh. Jam ndjerë si John Hyatt i cili kur po vdiste tha se jo vetëm që mund t’i besonte Krishtit shpirtin e tij, por edhe se nëse do të kishte një milion shpirtra do t’ia besonte Atij. Nëse mëkatet e mia do të ishin më të mëdha seç janë dhe dashtë Zoti mos ndodhë, nëse ndijimi im për to do të ishte dhjetëmijë herë më i madh seç është dhe edhe po të dëshiroja që të kisha një vetëdije më të madhe dhe më përulëse të ligësisë time, prapëseprapë, edhe atëherë, e di se Zoti dhe Mjeshtri im është një Shpëtimtar më i madh seç unë jam mëkatar.
Nga përbërja e personit të Tij si Perëndi dhe njeri, jam i sigurt se nëse do të kisha grumbulluar si pirgje të gjitha paudhësitë e mia derisa të arrinin majën e qiellit, edhe sikur, ashtu si gjigantët në mitologjinë e lashtë, të kisha vendosur mbi njëri tjetrin Pelionin dhe Osan, mal mëkati mbi mal rebelimi dhe të mendoja kështu që të arrija te vetë froni i Perëndisë në rebelimin tim të lig, prapëseprapë, madje edhe atëherë, gjaku i çmuar i Jezu Krishtit, Birit të Tij mund të më pastronte nga të gjithë mëkatet. Në Letrën drejtuar Hebrenjve, Apostulli Pal thotë në lidhje me Mishërimin e Krishtit: “Vetëm një herë në ditët e fundit, Krishti u shfaq për të hequr mëkatin me anë të flijimit të Vetvetes” (Hebrenjve 9:26). Kundër Krishtit qe kryer mëkati, është Krishti që do të jetë Gjykatësi i të gjallëve dhe të vdekurve që “u shfaq për të hequr mëkatin me anë të flijimit të Vetvetes.” A nuk ka ngushëllim të madh në këtë fakt?
Është Biri i Perëndisë i cili ka ndërmarrë këtë punë më të madhe se punët e Herkulit. Ai u shfaq o mëkatar që të të shpëtonte ty. Perëndia u shfaq “për të hequr mëkatin.” O ti i humbur, Bariu i madh u shfaq për të të gjetur ty, rasti yt nuk është i pashpresë, sepse Ai është shfaqur. Nëse do të kishte qenë ndonjë tjetër, dhe jo Perëndia, që do të kishte ndërmarrë punën e heqjes së mëkatit, nuk do të ishte përmbushur kurrë, mirëpo mund të përmbushet tani, sepse Krishti që u shfaq është Ai me të Cilin asgjë nuk është e pamundur. Krishti nuk erdhi si një Shpëtimtar amator, duke bërë një eksperiment për veten. Ai erdhi si Ndërmjetësi i zgjedhur, i caktuar nga Perëndia për këtë detyrë të stërmadhe. Ai nuk është një individ i paautorizuar i cili me kokën e vet u shfaq në horizont pa urdhra nga Qielli. Jo, por u shfaq si Ai që Ati e kishte zgjedhur që nga përjetësia për këtë detyrë të jashtëzakonshme dhe si Ai që Ati e kishte porositur dhe e kishte dërguar për ta kryer. Edhe vetë Emri i Tij, Krisht, na tregon për vajosjen e Tij për këtë shërbim. Ai nuk mund të rrinte ulur në Qiell dhe ndërkohë të përfundonte këtë punë të madhe të shpëtimit tonë.
Me gjithë respektin dhe nderimin më të madh për Birin e Perëndisë, realisht mund të themi se Ai nuk mund të na kishte shpëtuar nëse do të kishte qëndruar në fronin e Tij dhe nuk do të kishte lënë oborret e lavdisë; dhe prandaj Ai “u shfaq” në tokë në formë njerëzore. Ai “nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi Veten e Tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit, dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli Veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit” (Filipianëve 2:6-8).
Krishti i Mishëruar, Shpresa e Vetme e Mëkatarit
Nuk kishte shpresë tjetër për mëkatarin veç Vetë Biri i Perëndisë që vjen ta shpëtojë. Por Apostulli Pal, duke i shkruar birit të tij Timoteut thotë: “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t`u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15). Mund ta kuptoni se sa i madh ishte rreziku ku gjendeshim prej lavdisë së personit të Atij që ndërmori të na çlironte nga ky rrezik. Është Biri i Perëndisë, të Cilin engjëjt e adhurojnë, Ai që ka ardhur “për të shpëtuar mëkatarët.” Medoemos që duhet të ketë qenë një shkatërrim tepër i madh prej të cilit veç Vetë Perëndia mund ta shpëtonte njeriun. Kur Krishti “erdhi në botë” vini re se si Ai duhej të pajisej për Shërbimin që do të kryente dhe në këtë mënyrë të mësonte ashpërsinë e detyrës së Tij. Ai duhet të jetë Jezus, një Shpëtimtar dhe pastaj Ai duhet të jetë Krisht, i vajosur për punën e caktuar. Ai duhet të vijë me autoritet Hyjnor dhe Fryma e Perëndisë duhet të pushojë mbi Të për ta kualifikuar për veprën e madhe që e priste. Sepse Pali nuk thotë që Krishti thjesht erdhi në botë, por Krishti Jezus, Shpëtimtari i vajosur erdhi që të mund të shpëtojë. Nëse ishte e nevojshme kjo pajisje hyjnore, atëherë me siguri që njeriu ishte në një gjendje të dëshpëruar.
Vini re gjithashtu që Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. Rënia e njeriut ishte aq e tmerrshme saqë nëse njeriu kishte për t’u çliruar nga pasojat e saj, Krishti Jezus duhet të vinte pikërisht poshtë në vendin e rrënimit tonë. Ai duhet të vinte te plehrat që të mund të na nxirrte prej tyre. Perëndia në qiell tha: “U bëftë drita” (Zanafilla 1:3) dhe drita u zhduk para Tij, por Krishti Jezus duhet të vinte në botë për të shpëtuar mëkatarët; këtu poshtë te ky krijim i ndotur duhet të zbriste Vetë Krijuesi i përjetshëm. Ai nuk mund të na shpëtonte dot ne mëkatarët, aq i madh është shkatërrimi ynë, nëse Ai nuk mishërohej dhe të merrte natyrën tonë. Mendoni se sa i tmerrshëm është rrënimi ynë ndërsa vërejmë se Krishti nuk mund të kthehej në Qiell, duke thënë, “U krye,” pa vdekur së pari.
Ajo kokë e shenjtë duhet të kurorëzohet me kurorë me ferra, ato sy duhet të mbyllen në errësirën e vdekjes, ai trup duhet të shpohet madje në zemër dhe pastaj duhet të qëndrojë në varr, një trup i ngrirë e i ftohtë, para se njeriu të shpengohet dhe i gjithë ai turp, ato vuajtje dhe ajo vdekje ishin veçse guaska e jashtme e asaj që vuajti Shpëtimtari, sepse Ai duroi furinë e zemërimit të Atit të Tij kundër mëkatit dhe mbajti një barrë të tillë që do ta kishte shtypur të tërë racën njerëzore përjetësisht nëse do t’u lihej ta mbanin.
O mëkatar je tmerrësisht i humbur, pafundësisht i humbur përderisa duhet që një Shpëtimtar i pafund të paraqesë Trupin e Vet si shlyerje në mënyrë që të shpëtojë mëkatarët nga dënimi, fuqia dhe pasojat e mëkatit të tyre! Kjo është e vërteta që del për ne nga kjo thënie e sigurt, e cila është “e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë”. Fryma e Shenjtë e shkroftë në zemrat tona! Ka një gjë që duhet të tërheqë medoemos dhe plotësisht vëmendjen e çdo mëkatari që ka frikën e Zotit; është kjo: Krishti i Perëndisë, i Cili u shfaq në fundin e kohërave, nuk erdhi të mohonte realitetin e mëkatit njerëzor apo të propagandonte një filozofi që do ta bënte mëkatin të dukej si të padëmshëm apo ta përkufizonte si thjesht një gabim ose mbase si fatkeqësi dhe në asnjë lloj mënyrë si një krim që meriton ferrin.
Jam i sigurt se çdo ndërgjegje e ndjeshme do ta kishte neveri një mësim të tillë. Nuk mund t’i jepte asnjë lloj ngushëllimi një shpirti që e ka ndjerë mëkatin si tejet të lig. Jezu Krishti nuk erdhi në botë t’ju ndihmojë të harroni mëkatin tuaj. Ai nuk ka ardhur t’ju sigurojë një mantel për të mbuluar mëkatin. Ai nuk u shfaq që të forconte mendjet tuaja (siç disa njerëz duan që ju të mendoni) aq sa të mësoni të qeshni me paudhësitë tuaja dhe të mos merrnit parasysh pasojat e tyre. Për asnjë nga këto arsye Biri i Perëndisë nuk zbriti nga qielli në tokë. Ai nuk ka ardhur t’ju rehatojë me një paqe të rreme, as t’ju pëshpëritë ngushëllim që në fund fare do të dilte mashtrim, por për t’ju siguruar një çlirim të vërtetë nga mëkati duke e hequr tutje dhe kështu t’ju sjellë te një paqe e vërtete në të cilën gëzoheni të sigurt. Sepse nëse mëkati hiqet, atëherë paqja është e përligjshme, atëherë prehja e frymës mund të bëhet jo vetëm një bekim që mund ta gëzojmë, por të cilin ne duhet ta gëzojmë dhe të cilin sa më shumë ta gëzojmë, aq më shumë do t’i pëlqenim Perëndisë tonë. O mëkatar, lajmi i mirë që ne të sjellim në Ungjillin, nuk është thjesht një shkëndijë shprese që në fund fare mashtron, jo një qetësues i përkohshëm për tmerrin që ndjen tani, por një shërim i vërtetë për të gjithë sëmundjet e tua, një çlirim i sigurt dhe i patundshëm nga të gjithë rreziqet që të kanosin tani!
Krishti i Mishëruar, Garancia e Çlirimit
Duke qenë se Perëndia bëhet një me natyrën njerëzore në këtë mënyrë të pashoqe, medoemos që nënkuptohet bekim për njeriun. Perëndia nuk mund të ketë si synim të shkatërrojë atë racë me të cilën bëhet një. Një lidhje e tillë si kjo mes njerëzimit dhe Perëndisë medoemos që shpall paqe; lufta dhe shkatërrimi nuk kanë pjesë aty. Perëndia i mishëruar në Betlehem, për t’u adhuruar nga barinjtë, nuk përmban asnjë ogur tjetër veçse,
“Paqe mbi tokë dhe fort të mëshiruar,
Perëndia dhe mëkatarët të pajtuar”
O ju mëkatarë, që dridheni prej mendimit të zemërimit Hyjnor, dhe me të drejtë, ngrini kokën lart me shpresë të gëzueshme të faljes dhe favorit, sepse Perëndia medoemos që është plot me hir dhe mëshirë për atë racë të cilën Ai e veçon mbi gjithçka duke u bërë një me të! Gëzohu o njeri i lindur prej gruas dhe prit bekime të patregueshme, sepse “na ka lindur një Fëmijë, një Bir na është dhënë.”
Nëse shikon lumenjtë, shpeshherë mund të kuptosh nga ngjyra e tyre nga kanë ardhur dhe në çfarë lloj toke kanë kaluar. Ato lumenj që rrjedhin nga akullnajat dallohen menjëherë nga vijnë. Ka një varg biblik që flet për një lum qiellor, të cilin do ta kuptoni nëse e shihni nga ky këndvështrim. Gjoni te libri i Zbulesës thotë në lidhje me engjëllin: “më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit.” Duke qenë se te froni janë ulur së bashku Perëndia dhe Ndërmjetësi i caktuar, Perëndia i mishëruar, njëherë e një kohë Qengji i gjakosur, atëherë lumi që del prej tij, duhet të jetë jo një lumë me llavë të shkrirë, por lumë me ujë jete.
Rrjedhimet nga Mishërimi i Krishtit medoemos që janë të këndshme, të dobishme, shpëtuese dhe fisnikëruese për bijtë e njerëzve. Ato përfshijnë mes shumë bekimeve të tjera, një garanci të çlirimit tonë. Ne jemi një racë e rënë, jemi të zhytur në batak, i jemi shitur mëkatit, robër dhe skllevër të Satanit, mirëpo Perëndia është bërë raca jonë dhe është bërë një me natyrën tonë; pse vallë?; me siguri ngaqë Ai e ka vendosur të na ngrejë nga rënia. Nuk është e mundur që portat e ferrit të mbajnë brenda ata që kanë Perëndinë me ta. Skllevër nën mëkat dhe robër nën ligj, dëgjoni me vëmendje të madhe burinë e Jubileut, sepse Dikush ka ardhur mes jush, lindur nga një grua, i vënë nën ligj, i Cili është gjithashtu “Perëndia i fuqishëm,” i vendosur për t’ju dhënë lirinë.
Ai është Shpëtimtar dhe Shpëtimtar i madh; Ai mund të shpëtojë, sepse është i plotfuqishëm dhe Ai është zotuar ta bëjë, sepse Ai ka vënë emrin në listë në vendin tonë dhe ka veshur parzmoren për betejë. Kampioni i njerëzve të Tij është Dikush që nuk do të dështojë e nuk do të dekurajohet; fitorja ndaj gjithë armiqve të tyre do të arrihet plotësisht. Jezusi duke zbritur nga qielli është garancia se Ai do t’i çojë njerëzit e Tij lart në qiell. Bërja e Tij një me natyrën tonë është vula e ngritjes sonë lart për të qëndruar para fronit të Tij.
Nëse do të kishte qenë një engjëll që do të kishte ndërhyrë për ne, mund t’i druheshim rezultatit të konfliktit. Nëse do të kishte qenë një njeri që do ta kishte marrë në dorë çështjen tonë, frika jonë do të shkonte deri në dëshpërim, por meqë Perëndia u bë një me njeriun, le “t’u biem kambanave të qiellit” dhe le të jemi plot falënderim të hareshëm. Duhet të ketë ditë më të shndritshme dhe më të lumtura që na presin, duhet të ketë shpëtim për njeriun, duhet të ketë lavdi për Perëndinë, tani që kemi “Perëndinë me ne.” Le të prehemi nën rrezet e Diellit të drejtësisë, që është ngritur për ne, një Dritë për të ndriçuar johebrenjtë dhe për të qenë lavdia e popullit të Tij, Izraelit.
Mishërimi i Krishtit, Zemra e Ungjillit
Perëndia i pati bërë shumë vizita njeriut para Mishërimit të Krishtit, por vizita më e mrekullueshme ishte kur Ai erdhi të banonte këtu për rreth tridhjetë e tre vjet të realizojë shpëtimin tonë. Çfarë tjetër përveç “mëshirës së dhembshur”, zemërdhembshurisë, mëshirës së fuqishme mund ta sillte Perëndinë e madhërishëm të na vizitonte aq nga afër sa të merrte realisht natyrën tonë, duke u bërë një nga ne? Mbretërit për arsye të ndryshme mund t’ju bëjnë vizita subjekteve të tyre, por atyre nuk u shkon nëpër mend të bëhen si ata duke provuar varfërinë, sëmundjen dhe pikëllimet e tyre. Ata nuk mund ta bënin dot edhe nëse do të donin dhe nuk do ta bënin nëse do të mundeshin, por Zoti ynë Hyjnor, kur erdhi në këtë botë, u bë si një nga ne, mori mbi Veten e Tij mishin tonë.
O ju fëmijë, Zoti ju ka vizituar aq sa u bë një Foshnje dhe pastaj një Fëmijë që banoi me prindërit e vet, iu nënshtrua atyre dhe u rrit në shtat, ashtu siç duhet të ndodhë edhe me ju! O ju punëtorë, Zoti ju vizitoi në një mënyrë të tillë sa të bëhej Bir i zdrukthëtarit dhe të njihte gjithçka për mundin, lodhjen tuaj, madje deri në pikën sa të njihte urinë dhe dobësinë! O bij të njerëzve, Jezu Krishti ju ka vizituar në një mënyrë të tillë sa Ai ka marrë mbi Vete natyrën tonë njerëzore dhe ka mbajtur gjithashtu sëmundjet, dobësitë dhe paudhësitë tuaja. Kjo ishte një vizitë dashamirëse e tillë sa askush nuk do të kishte menduar ta bënte përveç Shpëtimtarit tonë pafundësisht të dhembshur dhe të mëshirshëm. Krishti Jezus, Perëndia – njeri, është më i afërti ynë, një Vëlla që na ka lindur për ditë të këqija. Në gjithë pikëllimet tona, Ai u pikëllua. Ai është vetë dhembshuria kundrejt nesh.
Ai nuk erdhi në tokë thjesht për të na bërë një vizitë kalimtare, por Ai banoi mes nesh në këtë botë të mëkatit dhe pikëllimit. Ky Princ i madh hyri në banesën tonë; po sikur të thosha më mirë hyri në këtë kasolle dhe tendë? aty ku njerëzimi ynë e ka shtëpinë e vet për një farë kohe. Ky planet i vogël i yni u bë që të shndriste me dritë më të fortë mes yjeve të tjerë ndërkohë që Krijuesi qëndroi këtu në formë njerëzore. Këmba e Tij shkeli tokat e Samarisë dhe kaloi në kodrat dhe luginat e Judesë. “Ai e përshkoi vendin duke bërë mirë.”
Ai jetoi mes njerëzve dhe ndërveproi me ta pa asnjë rezervë. Megjithëse prej pastërtisë së Tij, Ai ishte i ndarë nga mëkatarët për sa i përket karakterit të Tij, Ai ishte vizitori i të gjithë njerëzve. Ai hëngri bukë me farisenjtë, gjë që mbase ishte diçka akoma më e mrekullueshme sesa kur pranoi mëkatarët dhe hëngri me ta. Një grua mëkatare nuk kishte shkuar tepër larg në mëkat për Të aq sa të mos ulej te buza e pusit dhe të fliste me të; as ndonjë nga të varfrit apo të paditurit nuk ishte aq i ulët për Të sa mos të kujdesej për ta. Vizita që Ai na bëri ishte tejet familjare dhe e ngrohtë. Ai nuk përçmoi asnjë, qoftë edhe atë më të ulëtin. Ai nuk i ktheu shpinën askujt, sado mëkatarë që mund të ishin.
Por mbani mend që Ai na vizitoi jo thjesht për të na parë dhe të fliste me ne, për të na mësuar dhe për të na dhënë një shembull të lartë dhe Hyjnor, por Ai na vizitoi që të merrte mbi Veten e Tij dënimin tonë, që të mund të na çlironte prej tij. Ai u bë mallkim për ne siç është shkruar “I mallkuar është kushdo që varet në dru” (Galatasve 3:12). Ai i mori mbi Veten e Tij borxhet tona që të mund t’i paguante në vendin tonë, duke stampuar monedhën me zemrën e Tij. Ai e dha Veten e Tij për ne, gjë që është më shumë se: “Ai dha gjakun dhe jetën e Tij për ne;” Veten e Tij Ai e dha për ne.
Ai na vizitoi me kaq shumë hir saqë Ai mori me vete sëmundjen tonë dhe la mbrapa vetëm të mirën. Ai nuk erdhi në natyrën tonë dhe ndërkohë e ruajti veten nga të gjitha pasojat e mëkatit tonë; as nuk erdhi në botën tonë duke ruajtur ndërkohë një status superior, por Ai erdhi që të ishte një njeri mes njerëzve dhe të duronte të gjithë atë mori fatkeqësish që kishin rënë mbi racën njerëzore prej largimit të saj nga rrugët e Perëndisë.
Zoti ynë na vizitoi në mënyrë të tillë që të bëhej Siguria jonë, Zëvendësuesi ynë, Flijimi ynë. Ai mbajti pikëllimet dhe dhimbjet tona dhe Zoti vendosi mbi Të paudhësinë e ne të gjithëve. Kjo ishte mëshirë e dhembshur dhe e mrekullueshme nga ana e Tij; tejkalon çdo konceptim dhe fjalë njerëzore. Nëse do të kishit dëgjuar për herë të parë mbi vizitën në këtë botë të Perëndisë së mishëruar, do të mbeteshit përgjithmonë të habitur, që Perëndia Vetë të begeniste të bënte një vepër të tillë si kjo. Kjo është zemra e ungjillit, fakti i pashoq i Mishërimit të Birit të Perëndisë, banimi i Tij në këtë tokë dhe paraqitja e Vetes së Tij si flijim për Perëndinë. Meqë Perëndia na ka vizituar jo në formën e një gjykatësi hakmarrës, as në formën e një engjëlli me shpatë flakëruese, por në personin zemërbutë nga më të ulëtit e të ulëtëve, i cili tha “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek Unë”, ne shohim në këtë mënyrë mëshirën e dhembshur të Perëndisë tonë. Asgjë nuk mund të jetë më e hirshme sesa shfaqja hyjnore mbi tokë e Njeriut të dhembjeve.
Mishërimi dhe Birëria jonë
Zoti Jezu Krisht ka ardhur në mish njerëzor që njerëzit e Tij të mund të “fitojnë birërinë” (Galatasve 4:5). Çfarë do të thotë kjo shprehje? Do të thotë se “tani jam nën pushtetin e dashurisë, si një fëmijë i shtrenjtë, i cili është dashur dhe është i dashur. Do të thotë se hyj dhe dal nga shtëpia e Atit tim, jo si një shërbëtor i rastit që thirret për punë dhe paguhet me mëditje, por si një fëmijë në shtëpinë e vet. Nuk po kërkoj që të bëhem shërbëtor, sepse jam gjithmonë me Atin tim dhe gjithçka që Ai ka është e imja. Perëndia im është Ati im dhe drita e pamjes së Tij më gëzon. Nuk kam frikë prej Tij, por gjej ëndje të madhe te Ai dhe asgjë nuk mund të më ndajë nga Ai. Ndjej kundrejt Tij atë dashuri të përsosur që nxjerr frikën jashtë dhe është gëzim për mua të njihem si fëmija i Tij.”
Provojeni dhe hyni në atë përvojë të bekuar nëse jeni me të vërtetë besimtarë në Zotin Jezu Krisht, sepse kjo është arsyeja se pse Ai ka ardhur në mish, me qëllim që ju, njerëzit e Tij, të mund të jeni plotësisht fëmijë të birësuar të Zotit, duke marrë dhe shijuar të gjitha privilegjet që siguron për ju birëria.
Më pas përdore trashëgiminë tënde. Dikush që është bir dhe që e di që është trashëgimtar i gjithë pasurisë së atit të tij nuk tretet në varfëri, as nuk sillet si lypës. Ai i shikon të gjitha gjërat që zotëron ati i tij si gjërat e tij. Ai e konsideron pasurinë e atit të tij si diçka që e bën të pasur. Ai nuk ndjehet sikur po vjedh, por e merr atë që i ka dhënë ati i tij dhe e përdor lirshëm.
Sa do kisha dëshirë që besimtarët t’i përdornin lirshëm premtimet dhe bekimet e Perëndisë së tyre. Merrni lirshëm nga të gjitha gjërat që Ai ka vënë mënjanë për ju, sepse asnjë gjë e mirë nuk do t’ju refuzohet nga Zoti, nëse ecni drejt. Të gjitha gjërat janë tuajat dhe veçse është e nevojshme të përdorni dorën e besimit për t’i zotëruar. Në qoftë se përvetësoni një premtim të Atit tuaj, ju nuk po vidhni, mund ta zotëroni me guxim dhe të thoni: “Ky është imi.” Birësimi yt në familjen e Perëndisë sjell me vete një numër të madh të drejtash, mos u trego mefshtë t’i kërkosh.
Pali u shkruan Romakëve: “Vetë Fryma i dëshmon frymës tonë që jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Romakëve 8:16). Mes njerëzve bijtë janë vetëm trashëgimtarë në pritje për aq kohë sa ati i tyre është gjallë. Ata bëhen zotërues të trashëgimisë vetëm pasi ati i tyre vdes. Por Ati ynë në Qiell jeton, megjithatë ne kemi në Të privilegjet e plota të trashëgimisë, pikërisht tani. Zoti Jezu Krisht u lind nga një grua me qëllimin që njerëzit e Tij të shtrenjtë të mund bëhen menjëherë trashëgimtarë.
Ju duhet të ndjeni një gëzim të ëmbël në marrëdhënien e përhershme që tani është vendosur midis jush dhe Perëndisë, sepse Jezusi është akoma Vëllai juaj. Ju jeni birësuar nga Perëndia dhe deri tani Ai kurrë nuk e ka anuluar atë birësim. Ekziston një gjë e quajtur ripërtëritje, por nuk ka një gjë të tillë si shuarja e jetës e marrë në atë çast. Nëse je lindur në Perëndinë, je lindur në Perëndinë. Yjet mund të kthehen në qymyr, dielli dhe hëna mund të bëhen si copëza gjaku të mpiksur, por ai që është lindur nga Perëndia ka një jetë brenda tij që kurrë nuk mund të mbarojë. Ai është fëmija i Perëndisë dhe fëmija i Perëndisë do të jetë përgjithmonë. Prandaj le të ecë lirshëm si një fëmijë, si një trashëgimtar, si një princ i gjakut mbretëror qiellor, i cili ka një marrëdhënie të tillë me Zotin që as koha as përjetësia nuk mund ta shkatërrojnë dot.
Mishërimi, Lavdia e Tij
Zoti ynë Jezu Krisht kishte një lavdi të madhe madje edhe në gjendjen e Tij të përulur. I ktheni mendimet tuaja te ajo periudhë e paharrueshme dhe përpiquni të kuptoni se çfarë ndodhi asokohe. Shikoni Jezusin të lindur nga prindër të një shtrese modeste, i shtrirë në një grazhd dhe i mbështjellë me pelena, mirëpo vini re! Gjithë principatat dhe pushtetet në vendet qiellore vihen në lëvizje plot gjallëri për këtë ngjarje të pashoqe. Së pari një engjëll zbret të shpallë ardhjen e Mbretit të porsalindur dhe krejt papritur një numër i madh engjëjsh të ushtrisë qiellore i bashkohen duke kënduar: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, paqe mbi dhe për njerëzit, mbi të cilët qëndron mirëdashja e Tij” (Lluka 2:14).
Kjo lëvizje plot gjallëri nuk ndodhi vetëm te frymët lart, sepse edhe qiejt që mbështjellin tokën lëvizën me hov. Një yll i shndritshëm është caktuar të shfaqet si përfaqësues i të gjithë yjeve, sikur të ishte një emisar dhe ambasador i plotfuqishëm i të gjithë botëve për t’i përfaqësuar para Mbretit të tyre. Këtij ylli i është dhënë porosia që të presë për Zotin, të jetë lajmëtari i Tij për njerëzit larg, shoqëruesi i Tij për t’i sjellë ata në praninë e Tij dhe truproja e djepit të Tij.
Ma merr mendja se secili prej jush e përfytyron këtë yll sipas mënyrës së vet. Me shumë gjasa duket se ka qenë diçka krejt e mbinatyrshme dhe jo një yll apo një kometë e zakonshme. Nuk ka qenë yjësi, as një pozicionim i caktuar i planetëve; nuk ka asgjë në Shkrimet që mbështet një pozicionim të tillë. Me shumë gjasa, nuk ka qenë një yll në kuptimin që kemi sot për yjet, sepse vëmë re se lëvizte përpara dijetarëve, pastaj krejt papritur zhdukej dhe përsëri shfaqej për të lëvizur para tyre. Nuk mund të ketë qenë një yll si yjet e tjerë të hapësirës, sepse lëvizje të tilla nuk do të kishin qenë të mundshme. Nëse ylli në zenitin e vet qëndroi mbi Betlehem, do të kishte qenë po ashtu në zenitin e vet mbi Jeruzalem, sepse distanca midis tyre është aq e vogël sa nuk do të kishte qenë e mundur të vihej re në të dy vendet ndonjë ndryshim në pozicionin e yllit. Duhet të ketë qenë një yll që nuk lëvizte në trajektoren që lëvizin planetët.
Ne besojmë se ka qenë një shfaqe e shndritshme në hapësirë, mbase diçka e ngjashme me atë që udhëhoqi bijtë e Izraelit përmes shkretëtirës, një kolonë reje gjatë ditës dhe një kolonë zjarri gjatë natës. Nëse ky yll u pa gjatë ditës apo jo, nuk e dimë. Krizostomi dhe etërit e hershëm të Kishës shprehen çuditërisht me mjaft siguri për shumë gjëra për të cilat Shkrimet nuk janë shumë të qarta, por duke qenë se këta teologë të shquar mbështeteshin shumë në imagjinatën e tyre për sa i përket fakteve që nxirrnin në pah, ne nuk jemi të detyruar t’i ndjekim. Ata pohojnë se ky yll ishte aq i shndritshëm sa ishte i dukshëm gjatë gjithë ditës. Nëse ka qenë kështu mund t’i përfytyrojmë dijetarët duke udhëtuar ditë e natë, por nëse mund të shihej vetëm gjatë natës, tabloja para nesh bëhet akoma më e veçantë dhe disi e çuditshme ndërsa shohim këta Dijetarë nga Lindja duke ndjekur qetësisht rrugën e yll udhëhequr, duke pushuar kur dilte dielli, por duke nxituar pa zhurmë gjatë natës nëpër vende të dremitura.
Por sidoqoftë, ylli ishte mjet drejtimi për te Shpëtimtari, nga vende mjaft të largëta, për mendjet më të ndritura të asaj kohe. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë, këta përfaqësues të jo hebrenjve më në fund mbërrijnë aty ku ndodhet fëmija i vogël. Vini re! Mbretërit e Sebas dhe Sheba ofrojnë dhurata e tyre “ar, temjan dhe mirrë” (Mateu 2:12). Dijetarë, udhëheqës popujsh përkulen para Tij dhe nderojnë Birin e Perëndisë. Kudo që është Krishti, Ai është i çmuar. “Për ju që besoni Ai është i çmuar” ( 1 Pjetri 2:5). Madje edhe në ditët e miturisë së Tij, kur i mohohet çfarë meriton dhe mbulohet nga gjëra të përçmuara, Ai përsëri mbetet më i lavdishmi. Krishti, megjithëse një Foshnje, prapë se prapë është Mbreti i Mbretërve, megjithëse mes qeve, prapë se prapë mbi të shkëlqen Ylli i Tij.
Nuk mund ta dimë me siguri se nga sa larg kishin ardhur këta dijetarë; mund të ketë qenë aq larg sa udhëtimi i tyre mund të ketë zgjatur afërsisht plot dy vjet, që nga çasti kur ata flasin për shfaqjen e yllit. Udhëtimi ishte goxha i ngadaltë asokohe, zakonisht i shoqëruar me vështirësi dhe rreziqe. Ata mund të kenë ardhur nga Persia, India apo Tartari, apo madje edhe nga vendi misterioz i Sinimit që ditët e sotme njihet si Kina. Nëse ka ndodhur kështu, sado e çuditshme dhe e pa rafinuar të ketë qenë gjuha e atyre që adhuruan Foshnjën në Betlehem, gjithsesi Ai nuk kishte nevojë për përkthyes për të kuptuar dhe pranuar adhurimin e tyre.
Pse ju bë e ditur këtyre të huajve lindja e Mbretit të Judenjve dhe jo atyre afër shtëpisë? Pse Zoti zgjodhi ata që ishin aq shumë qindra milje larg, ndërkohë fëmijët e mbretërisë, mes të cilëve doli Shpëtimtari ishin megjithatë çuditërisht në padije për sa i përket pranisë së Tij? Shikoni përsëri këtu një tjetër shembull të sovranitetit të Perëndisë. Si te barinjtë dhe te dijetarët e Lindjes të mbledhur rreth Foshnjës, dalloj Perëndinë që jep favoret e Tij siç i pëlqen dhe ndërsa dalloj këtë gjë, thërras: “Po, o Atë, sepse kështu Ty të pëlqeu” (Lluka 10:21).
Ashtu si në kohët e lashta, kishte shumë vejusha në Israel në ditët e profetit Elia, megjithatë te asnjë prej tyre Elia nuk u dërgua, veçse te gruaja e Sareptas, në qytetin e Sidonit (1 Mbretërve 17:9), po kështu kishte shumë mes judenjve që njiheshin dijetarë dhe të urtë dhe asnjërit prej tyre nuk iu shfaq ylli, por shkëlqeu para syve të johebrenjve dhe udhëhoqi njerëz të përzgjedhur nga skajet e tokës për t’u përulur te këmbët e Emanuelit.
Sovraniteti në këto raste e veshi veten me rrobat e mëshirës. Ishte mëshirë e madhe që përfilli shtresën e ulët të barinjve dhe mëshirë e jashtëzakonshme që mblodhi nga vende që dergjeshin në errësirë një numër njerëzish të caktuar të bërë të ditur për shpëtim. Mëshira, e veshur me gurët e saj të çmuar të shndritshëm, ishte e pranishme me sovranitetin Hyjnor në banesën e thjeshtë të Betlehemit. A nuk është një mendim i mrekullueshëm që rreth djepit të Shpëtimtarit si dhe rreth fronit të Qiellit, këto dy atribute takohen bashkë? Ai e bën Veten të njohur dhe kjo është mëshirë, por e bën Veten të njohur ndaj atyre që Ai ka zgjedhur dhe në këtë rast Ai tregon se do të ketë mëshirë për atë që do të kem mëshirë dhe do të ketë dhembshuri për atë që do të ketë dhembshuri.
Dijetarët dhe Mishërimi
Sapo dijetarët arritën në Jeruzalem, pyetën: “Ku është Mbreti i Judenjve, që ka lindur?” (Mateu 2:1). Ata ishin plotësisht të bindur se Ai ishte mbreti i Judenjve dhe se Ai nuk kishte shumë kohë që kishte lindur, kështu që ata pyetën: “Ku është Mbreti i Judenjve?”
Në rastin e këtyre dijetarëve, vëmë re se ata pranojnë paditurinë e tyre. Njerëzit që janë me të vërtetë të urtë, ngaqë janë të tillë, nuk janë tepër të urtë për të mos bërë pyetje. Njerëzit që kanë emrin dhe titujt si dijetarë të urtë dhe vlerësohen si të tillë, nganjëherë mendojnë se nuk i shkon për shtat të tregojnë sadopak padituri, por njerëzit me të vërtetë të ditur e të urtë nuk e mendojnë kështu. Ata janë mjaftueshëm të urtë për të mos qenë të paditur në lidhje me paditurinë e tyre. Shumë njerëz mund të kishin qenë të urtë vetëm nëse do të kishin qenë të ndërgjegjshëm për marrëzinë e tyre. Njohuria mbi paditurinë tonë është pragu i portës së tempullit të njohurisë. Disa mendojnë se dinë, prandaj dhe asnjëherë nuk dinë gjë. Po ta kishin ditur që janë të verbër shpejt do të ishin në gjendje të shikonin, por ngaqë thonë, “Ne shikojmë” prandaj dhe mbeten të verbër.
Dijetarët nuk u mjaftuan të pranonin se ishin të paditur, por shkuan më tej dhe kërkuan të informoheshin. Ata menduan se kishte më shumë gjasa që Jezusin ta njihnin në qytetin metropolitan. A nuk ishte Ai vallë Mbreti i Judenjve? Atëherë ku tjetër mund të njihej aq mirë sa në Kryeqytet? Ata mbase pyetën rojet te porta, “Ku është Mbreti i Judenjve, që ka lindur?” Por rojet i qeshën me përbuzje dhe u përgjigjën, “Ne s`kemi mbret tjetër përveç Herodit.” Mbase takuan dikë që po sorollatej në rrugë dhe e pyetën: “Ku është Mbreti i Judenjve, që ka lindur?” dhe ai përgjigjet “Nuk dua t’ia di fare, ç ’është kjo pyetje pa mend? Unë po kërkoj për ndonjë shok që të kthejë ndonjë gotë me mua.” Ka mundësi që të kenë pyetur ndonjë tregtar, por ky është tallur me ta dhe u ka thënë, “Kush do t’ia dijë për mbretërit, çfarë doni të blini apo të shisni ndonjë gjë? “Ku është Mbreti i Judenjve, që ka lindur?” pyesin një Saduce dhe ai përgjigjet: “Mos u bëni kaq të marrë sa të flisni në këtë mënyrë ose nëse flisni kështu, ju lutem që të shkojmë të thërrasim mikun tim fetar, Fariseun.” Kaluan pranë një gruaje në rrugë dhe e pyetën: “Ku është Mbreti i Judenjve, që ka lindur?” por ajo tha: “Unë kam fëmijën të sëmurë në shtëpi, kam halle boll me foshnjën time të gjorë, nuk dua t’ia di se kush ka lindur apo kush po vdes.”
Kur ata vajtën edhe në vendet më të larta, morën veç pak informacion, megjithatë nuk mbetën të kënaqur derisa të mësonin gjithçka që mund të mësohej për Mbretin e porsalindur.
Ata nuk ishin të kënaqur vetëm me vajtjen në Jeruzalem. Ata edhe mund të kishin thënë: “Ah, tani jemi në tokën ku ka lindur Foshnja, do të jemi mirënjohës dhe të kënaqur.” Ata dëgjuan që Ai kishte lindur në Betlehem, kështu që u nisën atje, por nuk shohim ndërsa mbërrijnë në atë fshat të thonë: “Ky është vend i përshtatshëm, do të ulemi këtu.” Aspak. Ata donin të dinin se ku gjendej shtëpia ku mund të gjenin Mbretin për të cilin kishin ardhur nga vende të largëta ta kërkonin. Ata panë yllin që ndaloi mbi hanin e fshatit dhe ata e dinin nga ajo shenjë që Mbreti i porsalindur ishte aty, por edhe kjo nuk i kënaqi. Jo; ata nuk gjetën prehje derisa panë Vetë Foshnjën dhe e adhuruan.
Çfarë na mësojnë dijetarët?
Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga veprimi i këtyre dijetarëve, kështu që le t’i ndjekim në përfytyrimin tonë. Ata kanë mbërritur pranë shtëpisë ku gjendet foshnja. Çfarë do të bëjnë vallë? A do të rrinë në vend duke parë yllin? Jo, ata hyjnë brenda. Ylli ndriçon akoma, por nuk druajnë se mund të humbasin shkëlqimin e tij, sepse kanë ardhur aty ku mund të shohin Diellin e Drejtësisë. Ata ngrenë rezen e derës dhe hyjnë në banesën e varfër të Foshnjës. Ata nuk e shikojnë më yllin dhe nuk kanë nevojë ta shohin më, sepse atje është “Mbreti i Judenjve, që ka lindur.” Tani Drita e vërtetë shkëlqen mbi ta nga fytyra e Fëmijës; Ata shohin Perëndinë e mishëruar.
Sa të mençur do të tregoheshit nëse pasi jeni drejtuar te vendi i Krishti nga kushdo njeri qoftë, nuk mbështeteni më te drejtimi i njeriut, por vendosni ta shihni vetë Krishtin! Oh sa shumë dëshiroj që ju të hyni në bashkësinë e misterit, të kaloni pragun e derës dhe të vini e të shihni Foshnjën dhe të përkuleni para Tij! Kemi shumë keqardhje kur shumë njerëz tregohen aq të marrë saqë kënaqen veç duke na parë ne. Ne jemi vetëm udhërrëfyesit, por ata priren të na bëjnë ne qëllimin e tyre përfundimtar. Ne u tregojmë rrugën, por ata nuk e ndjekin rrugën; ata rrinë e na ngulin sytë. Nuk ndodhi kështu me dijetarët. Ylli e kishte bërë punën e vet dhe u zhduk, por Jezusi mbeti dhe ata shkuan tek Ai.
Këta dijetarë e vërtetuan se ishin të mençur, sepse kur panë Fëmijën, e adhuruan. Ata nuk shuan thjesht kuriozitetin e tyre, por treguan përkushtim. Edhe ne duhet të adhurojmë Shpëtimtarin ose përndryshe kurrë nuk do të shpëtohemi prej Tij. Ai nuk ka ardhur të heqë mëkatet tona dhe pastaj të na lërë të paperëndishëm dhe kokëfortë. Oh ju që nuk e keni adhuruar asnjëherë Krishtin e Perëndisë, Perëndia ju udhëheqtë në adhurim! Ai është Perëndi, prandaj adhurojeni Atë.
A është parë ndonjëherë Perëndia më parë në një formë të tillë të adhurueshme? Ja, Ai përkul qiejt, Ai hipën mbi krahët e erës, Ai shpërndan flakë zjarri, Ai flet dhe artileria e Tij e tmerrshme tund malet. Kush nuk do ta adhuronte të Përjetshmin e madh dhe të tmerrshëm? Por a nuk është shumë më mirë ta shohim këtu i bërë një me natyrën tuaj, i mbështjellë me pelena si foshnjat e tjerë, i njomë, i dobët, me të njëjtin gjak si ju? A nuk do ta adhuronit Perëndinë kur vjen në këtë mënyrë te ju dhe bëhet Vëllait juaj, i lindur për shpëtimin tuaj?
Ju nuk do të mund të adhuronit dot ashtu siç duhet një Krisht që nuk e njihni, por kur të mendoni për Jezu Krishtin, si Ai origjinat e të Cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë, i vetëmlinduri i përjetshëm i Atit dhe pastaj e shikoni Atë të vijë këtu për t’u bërë njeri nga e njëjta substancë e nënës së Tij, ta dini e të kuptoni se pse Ai erdhi dhe çfarë bëri mbasi erdhi, atëherë do të bini në gjunjë dhe do ta adhuroni.
“Bir i Perëndisë, përkulemi para Teje,
Vetëm Ti je Zot dhe Vetëm Ti,
I premtuari i farës së gruas Ti je
për mëkatarët Ti gjak derdhe”
Ne adhurojmë “Jezusin e Nazaretit, Mbretin e Judenjve.” Besimi ynë e sheh Atë të shkojë nga grazhdi në kryq dhe nga kryqi drejt e te froni dhe aje ku i Përjetshmi banon, mes lavdisë së padurueshme të pranisë Hyjnore, qëndron po i njëjti Person që fjeti në grazhd në Betlehem. Atje Ai mbretëron si Mbret i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve. Shpirtrat tanë adhurojnë Atë. Ti je Profeti unë, çdo fjalë që Ti thua, e besojmë dhe dëshirojmë t’i bindemi. Ti je Prifti ynë, sakrifica jote na ka çliruar nga faji, ne jemi larë dhe jemi bërë të bardhë në burimin e gjakut Tënd. Ti je Mbreti ynë, jep Urdhërimet e Tua dhe do t’u bindemi; Ti na udhëhiq dhe ne do të të ndjekim. Ti je Perëndia dhe ne të adhurojmë.
Pasi adhuruan Krishtin, dijetarët i paraqitën dhurata. Njëri hapi sëndukun e arit dhe e vuri te këmbët e Mbretit të porsa lindur. Një tjetër paraqiti temjan, një nga produktet më të çmuara të vendit të tyre dhe të tjerët ofruan mirrë te këmbët e Shpengimtarit. Të gjitha këto ia dhanë Atij për të vërtetuar sinqeritetin e adhurimit të tyre; ata dhanë oferta të konsiderueshme jo me dorë të shtrënguar.
Këta dijetarë, kur adhuruan Krishtin, nuk i lejuan vetes që të ishte thjesht një adhurim duar bosh, dhe në fakt njerëzit e ditur mbeten zemërgjerë dhe bujarë. Përkushtimi është edukimi më i mirë. Disa mendojnë se është mençuri të jesh gjithmonë duke marrë, por Shpëtimtari ynë tha, “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.”
Perëndia i gjykon zemrat tona nga ajo që del prej tyre në mënyrë spontane, prandaj dhe “kanella e blerë me para” është e pranueshme për Të kur jepet bujarisht. Ai nuk i takson shenjtorët e Tij me ofertat e Tij, as nuk i lodh me kërkesat e Tij për temjan, por Ai gjen ëndje të madhe të shohë brenda tyre atë dashuri të vërtetë që nuk mund të shprehet thjesht me fjalë, por duhet medoemos të përdorë ar, temjan dhe mirrë, vepra dashurie, vepra vetëmohimi dhe bujarie, si emblema të mirënjohjes së saj. Ne asnjëherë nuk do të hyjmë në thelbin e lumturisë derisa të bëhemi jo egoistë dhe zemërgjerë. Ne veç kemi përtypur lëvoren e besimit, e cila shpesh është e hidhur; kurrë nuk do të kemi ngrënë nga pjesa e brendshme derisa të kemi ndjerë dashurinë e Perëndisë të na shtrëngojë të bëjmë sakrifica për Të. Nuk ka asgjë që fuqia e besimtarit të vërtetë nuk do ta bënte dot për Zotin e tij, nuk ka asgjë në thelbin tonë që nuk do t’ia jepnim Atij, asgjë në vetvete të cilën nuk do t’ia përkushtonin shërbimit të Tij.
Mishërimi, shkaku i shqetësimit
Kur Krishti u lind, shumë u shqetësuan për shkak të Tij. Mateu thotë që: “Mbreti Herod … u shqetësua, dhe mbarë Jeruzalemi bashkë me të”. Është një gjë e pazakontë të dëgjosh për një mbret të shqetësohet prej një foshnje. Herodi krenar, një gërnjar i shqetësuar nga një foshnje mbështjellë me pelena, shtrirë në një grazhd? Ah sa keq! Sa e vogël është në fakt madhështia reale e ligësisë dhe sa pak duhet nga fuqia e mirësisë për ta trazuar!
Kur disa njerëz dëgjojnë Ungjillin dhe kuptojnë se ka fuqi në të, ata shqetësohen. Herodi u shqetësua, ngaqë pati frikë se do të humbiste fronin. Ai mendoi se shtëpia e Davidit, në personin e një Fëmije të sapolindur do të merrte në zotërim fronin e tij, kështu që u drodh nga frika dhe u shqetësua. Sa shumë njerëz ka akoma që mendojnë se besimi i vërtetë sjell humbje! Do të sjellë pasoja për biznesin. Ka disa biznese që medoemos do të vuajnë dhe ndërsa perëndishmëria përhapet, ata do të vuajnë. Nuk kam nevojë t’i tregoj me gisht, por ata që janë përfshirë aty zakonisht ndjehen se do të kishte qenë më mirë të klithnin: “E madhe është Diana e Efesit,” sepse ata e sigurojnë jetesën e tyre duke bërë dhe shitur altarët e saj dhe nëse altarët dhe zejet e tyre janë në rrezik, atëherë ata janë të shqetësuar. Kam njohur njerëz, që kanë qenë kryekeqbërës në mëkat dhe kanë menduar se do të humbisnin disa nga ndjekësit e tyre mbasi këta të vinin te Krishti, kështu që ata janë shqetësuar.
Por “mbarë Jeruzalemi” u shqetësua bashkë me Herodin. E pse vallë kështu? Me shumë gjasa ngaqë njerëzit menduan se do të kishte konflikt. Me një Mbret të ri të sapolindur, do të kishte luftë midis Atij dhe Herodit dhe kjo do të sillte trazira për Jeruzalemin. Po kështu, ka disa njerëz që thonë: “Mos e sill atë besim këtu, sepse sjell shumë mosmarrëveshje. Njëri beson këtë dhe një tjetër beson atë dhe dikush tjetër nuk beson asgjë. Besimi do të na krijojë probleme në familje nëse hyn brenda.” Po, është e vërtetë. Kjo është pohuar në Shkrimet, sepse Zoti ynë erdhi të sillte zjarr mbi tokë. Ai ka ardhur me një shpatë në dorë me qëllim për të luftuar kundër çdo gjëje që është e ligë dhe prandaj medoemos që do të ketë konflikt. Prandaj pra nuk habitem që amatorët e rehatisë shqetësohen.
Gjithsesi është shumë e trishtueshme që Ungjilli i shqetëson njerëzit ndërkohë që në vetvete synon të jetë lajm i mirë për ta; që oferta qiellore e hirit falas i shqetëson; që portat e Qiellit plotësisht të hapura para tyre i shqetësojnë; që të kërkohet të lash veten apo të lahesh në gjakun e Krishtit i shqetëson. Të shqetësuar nga mëshirë e pafundme! Të shqetësuar nga dashuri e plotfuqishme! Megjithatë i tillë është zvetënimi dhe korruptimi i natyrës njerëzore sa për shumë njerëz që dëgjojnë Ungjillin çdo ditë, Ungjilli nuk është për ta asgjë tjetër veçse shqetësim.
Herodi u përpoq t’i shpëtonte këtij shqetësimi duke bërë hipokritin. “Po” u thotë dijetarëve “ është Njëri që është lindur Mbreti i Judenjve. A do të ishit aq dashamirës sa të më tregonit gjithçka që dini për të? Ju thoni që patë një yll, kur u shfaq? Tregohuni tejet të saktë me hollësitë. A i mbajtët shënim lëvizjet e tij? Çfarë ore në mbrëmje u shfaq për herë të parë? Në çfarë dite të muajit u shfaq?”
Herodi është tejet i qëllimshëm për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm mbi yllin dhe menjëherë thërret teologët kryesorë, skribët dhe priftërinjtë, dhe u thotë: “Kur dhe ku duhet të lindë ky Mesia për të cilin ju flisni? Ma thoni.” E shihni pra se sa dishepull i mrekullueshëm është Herodi apo jo? Ai është ulur te këmbët e teologëve. Ai është i gatshëm të udhëzohet nga dijetarët dhe pastaj në fund u thotë dijetarëve: “Ju shkoni dhe adhuroni këtë Mbret të sapolindur; me të drejtë keni udhëtuar nga aq larg për të adhuruar këtë Fëmijë. Mos harroni gjithashtu të mbani shënim me hollësi për vendndodhjen dhe pastaj ejani dhe më tregoni për Të, që edhe unë vetë të shkoj dhe ta adhuroj.”
Po kështu edhe ne, gjithmonë kemi parë se atje ku Krishti është, ka një Herod apo një Judë diku afër. Nëse Ungjilli shkon në ndonjë vend, ka një numër të caktuar njerëzish që thonë: “Oh, po, po, po, ne do të vijmë aty!” Kam dëgjuar për një vend ku gjendet një predikues i vërtetë i cili ka fituar shumë veta te Krishti, ka një numër të madh njerëzish që shkojnë atje, mirëpo që nuk dinë asgjë për Krishtin. Një numër i caktuar njerëzish do të mendonin se diçka nuk shkon mirë me ta nëse nuk dëgjojnë doktrinë të shëndoshë, mirëpo ndërkohë i është mbushur mendja se doktrina e shëndoshë nuk do ta ndryshojë kurrë jetën e tyre dhe kurrë nuk do të ketë ndonjë ndikim në karakterin e tyre. Ata janë hipokritë, njësoj siç ishte edhe Herodi. Ata nuk duan që Krishti të mbretërojë mbi ta. Ata nuk e kanë problem që të dëgjojnë për Të, nuk e kanë problem të pranojnë në një farë shkalle të drejtat e Tij, por nuk duan të tregojnë besnikëri ndaj Atij, ata praktikisht nuk duan t’i nënshtrohen sundimit të Tij, të bëhen besimtarë të Tij dhe ta ndjekin.
Mishërimi, burim gëzimi gjithashtu.
Edhe pse ardhja e Krishtit ishte shkaku i shqetësimit për të paperëndishmit, për ne që jemi njerëzit e Tij është burim gëzimi të pastër e të papërzierë. Ne kemi një keqardhje të madhe dhe trishtim të thellë për kryqëzimin e Tij, por lindja e Tij në Betlehem nuk na jep tjetër gjë veç ëndje të madhe. Kënga e engjëjve ishte një shoqërim me vend për ngjarjen e gëzueshme dhe mbushja e tërë tokës me paqe dhe mirëdashje është rrjedhimi i përshtatshëm i begenisjes së hirshme që e bëri të mundur. Yjet e Betlehemit nuk lëshojnë dritë kërcënuese. Ne mund të këndojmë me gëzim të plotë, “na ka lindur një Fëmijë, një Djalë na është dhënë.”
Kur i Përjetshmi u përkul nga Qielli dhe mori natyrën e vetë krijesave të Tij që qenë rebeluar ndaj Atij, kjo vepër nuk nënkuptonte asnjë lloj dëmi për njeriun. Perëndia në natyrën tonë, nuk është Perëndia kundër nesh, por Perëndia me ne. Ne mund ta marrim në krahët tona Foshnjën e sapolindur dhe të ndjejmë bashkë me Simeonin e moshuar, se kemi parë shpëtimin e Zotit.
Mishërimi i Krishtit nuk mund të nënkuptojë shkatërrim për njeriun. Nuk habitem që njerëzit e botës festojnë përvjetorin e supozuar të ditëlindjes së madhe si festë e madhe me këngë krishtlindje dhe bankete. Duke mos dituar asgjë në lidhje me kuptimin shpirtëror të misterit, megjithatë arrijnë ta perceptojnë se është diçka e mirë për njeriun dhe kështu i përgjigjen me gëzim sipas mënyrës së tyre. Ne që nuk festojmë asnjë ditë që nuk është caktuar nga Zoti, gëzohemi vazhdimisht në ngjarjen e ardhjes së Princit të paqes dhe gjejmë në mishërimin e Zotit tonë një burim të madh ngushëllimi.
Për ne që jemi me të vërtetë njerëzit e Perëndisë, Mishërimi është një temë gëzimi i thellë, që rritet vazhdimisht bashkë me rritjen e njohurisë së kuptimit të tij, njësoj siç lumenjtë zgjerohen nga shumë përrenj uji që derdhen aty. Lindja e Jezusit jo vetëm na sjell shpresë, por sigurinë për gjëra të mira. Ne nuk flasim thjesht për lidhjen e Krishtit me natyrën tonë, por për bashkimin e Tij me ne, sepse Ai është bërë një mish me ne për qëllime aq të mëdha sa dashuria e Tij. Ai është një me ne të gjithë që kemi besuar në Emrin e Tij.
Nëse keni besuar në Të, ju duhet të ndjeni një kënaqësi plot gëzim në sigurinë që Krishti u bë mish në mënyrë që Ai të na mundësojë të shijojmë plotësinë e privilegjit të birësimit në familjen e Atit të Tij, i Cili u thotë të gjithë besimtarëve: “do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm” (2 Korintasve 6:18). Vërtet mund të gëzohemi me të madh nëse Ai na ka folur në këtë mënyrë.
Mishërimi, sipas profecisë
Në çdo detaj, lindja e Krishtit ishte përmbushje e profecive të lashta. Isaia e kishte parathënë ngjizjen e mrekullueshme: “Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një Bir.” Kjo shprehje është e pashembullt madje edhe në Shkrimin e Shenjtë. Për asnjë grua tjetër nuk mund të thuhet kjo gjë përveç për Virgjëreshën Mari. Fjala e përdorur si në greqisht ashtu edhe në hebraisht janë që të dyja tejet shprehëse për sa i përket virgjërisë së vërtetë dhe reale të nënës, për të na treguar që Jezu Krishti u lind prej gruas dhe jo prej burrit. Duke qenë se gruaja ra e para në shkelje përmes shpirtit të saj aventurier, në mënyrë që të mos përçmohej dhe të mos nëpërkëmbej, Perëndia në mençurinë e Tij planifikoi që gruaja dhe vetëm gruaja, duhet të jetë autorja e trupit të Perëndisë – njeri, i Cili duhet të shpengonte njerëzimin. Megjithëse ishte ajo e para që provoi frytin e mallkuar dhe tundoi burrin e saj (ndoshta Adami e provoi atë fryt nga dashuria për të) në mënyrë që ajo të mos çnderohej e të mos ishte në pozitë të pabarabartë me të, Perëndia caktoi që Biri i Tij të dërgohej “i lindur nga një grua” dhe premtimi i parë ishte që fara e gruas, jo fara e burrit, do t’ia shtypte kokën gjarprit.
Për më tepër kishte edhe një urtësi të posaçme në caktimin e Jezu Krishtit si Biri i gruas dhe jo i burrit, sepse nëse Ai do të kishte lindur nga mishi, “ç’ ka lindur nga mishi është mish” (Gjoni 3:6) dhe thjesht mish, dhe Ai në mënyrë të natyrshme, përmes ngjizjes mishërore do të kishte trashëguar gjithë brishtësitë, mëkatet dhe dobësitë që njeriu ka që me lindjen e tij. Ai do të ishte ngjizur në mëkat dhe mbruajtur në paudhësi, ashtu si të gjithë ne. Prandaj Ai nuk u lind nga fara e burrit, por Fryma e Shenjtë e mbuloi me hijen e vet Virgjëreshën Mari dhe Krishti qëndron si njeriu i vetëm, pa përjashtim, i Cili doli i pastër nga duart e Krijuesit të Tij, i Cili mund të thotë përherë, “Jam i pastër.” Po, dhe Ai mund të thotë shumë më tepër se sa Adami tjetër mund të thotë në lidhje me pastërtinë e Tij, sepse Ai e ruajti integritetin pa asnjë lëshim dhe që nga lindja e Tij deri në vdekjen e Tij, Ai nuk njohu mëkat dhe as nuk u gjet mashtrim në gojën e Tij.
Oh çfarë pamje e mrekullueshme! Le të ndalojmë dhe ta shikojmë. Një fëmijë i një virgjëreshe, çfarë përzierje! Ja ku është e fundmja dhe i Pafundmi, ja ku është e vdekshmja dhe i Pavdekshmi, prishja dhe Paprishja, njeriu dhe Hyjnia, koha e bashkuar me përjetësinë, Perëndia i lidhur me një krijesë, pafundësia e Krijuesit hyjnor vjen të banojë në këtë copëz të tokës, i Pakufishmi i madh, të Cilin toka nuk mund ta mbaj dhe qiejt nuk e nxënë, qëndron në krahët e nënës së Tij. Ai që themeloi shtyllat e universit dhe nguli gozhdët e krijimit, qëndron në gjirin e një të vdekshme, duke u varur nga krijesa për ushqyerje. Oh, ngjizje e mrekullueshme! Oh, lindje e mrekullueshme! Me të vërtetë që engjëjt kanë dëshirë të vëzhgojnë e të kuptojnë këtë mister tepër të madh për t’u kuptuar.
Isaia nuk thotë, “Një princeshë do të ngjizet dhe do të lindë një Bir,” por një virgjëreshë. Virgjëria e saj ishte nderi më i lartë i saj. Është e vërtetë se ajo kishte prejardhje mbretërore, ajo kishte Davidin dhe Solomonin si paraardhësit e saj. As nga pikëpamja e intelektit, ajo nuk mbeste poshtë grave të tjera. Unë mendoj se ajo kishte një intelekt të fuqishëm, përndryshe nuk do të kishte kompozuar atë poezi aq të ëmbël si ajo që është quajtur kënga e Virgjëreshës, që nis kështu: “Shpirti im e madhëron Zotin.” Ajo nuk ka pse të përçmohet nga Protestantët. Për shkak se Kisha Katolike e respekton më shumë se ç’duhet Virgjëreshën Mari dhe i drejtojnë lutje, ne kemi prirjen të flasim për të në një mënyrë mospërfillëse. Ajo nuk duhet të përçmohet, sepse me të drejtë ajo tha, “tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume (të bekuar)” (Lluka 1:48). Mendoj se Protestantët janë mes “të gjitha brezave” të cilët duhet ta quajnë atë të bekuar. Emri i saj është Mari dhe i vjetri George Herbert shkroi një anagram me këtë emër:
“Sa mirë emri i saj një Ushtri[2] paraqet,
ku Zoti i ushtrive ngriti çadrën e Tij.”
Megjithëse ajo nuk ishte një princeshë, prapëseprapë me interpretim emri i saj, Mari, do të thotë princeshë dhe megjithëse ajo nuk është mbretëresha e qiellit, ka gjithsesi të drejtën të konsiderohet mes mbretëreshave të tokës dhe megjithëse ajo nuk është zonja e Zotit tonë, ajo hyn mes grave të famshme dhe të fuqishme të Shkrimit.
Megjithatë lindja e Jezu Krishtit ishte e zakonshme. Zoti i lavdisë nuk u lind në një pallat, por në një ahur. Princa, Krishti nuk ju ka asnjë borxh. Ai nuk është borxhliu juaj. Ai nuk u mbështoll me rroba të purpurta, ju nuk kishit përgatitur për Të një djep të artë ku të përkundej. Dhe ju qytete të fuqishme, që në atë kohë ishit të mëdha e të famshme, sallonet tuaja të mermerta nuk u bekuan me hapat e Tij të vogla! Ai erdhi nga një fshat i varfër, i përçmuar, madje nga Betlehemi. Atje Ai nuk u lind në shtëpinë e guvernatorit apo në rezidencën e kreut të vendit, por në një grazhd. Tradita na thotë se grazhdi i Tij ishte bërë nga një gurë i vetëm. Aty e mbështeti kokën dhe është mjaft e mundur që qetë erdhën të ushqeheshin po në të njëjtin grazhd me kashtën dhe silazhin që formonin djepin e Tij. Oh! begenisje e habitshme, që Jezusi ynë i bekuar duhet të ngjishte në ijë përulësinë e njerëzimit dhe të përkulej aq poshtë!
Por le të marrim kurajë nga ky fakt. Nëse Jezu Krishti u lind në një grazhd prej guri, e pse vallë nuk duhet të vijë dhe të jetojë në zemrat tona të ngurta? Nëse Ai u lind në një ahur, pse vallë ahuri i shpirtrave tanë nuk duhet të kthehet në një banesë për Të? Nëse Ai u lind në varfëri, a nuk mund të presin të varfrit në frymë që Ai të bëhet Miku i Tyre? Nëse Ai duroi çnderimin në fillim, a do ta konsideronte vallë çnderim të vijë te krijesat e Tij më të varfër dhe më të përulur dhe të banojë në shpirtrat e fëmijëve të Tij? Oh jo! Ne mund të nxjerrim një mësim ngushëllimi nga lindja e Tij në një familje të varfër dhe mund të gëzohemi se jo një mbretëreshë apo perandoreshë, por një grua e thjeshtë u bë nëna e Zotit të lavdisë.
Zoti ynë ishte aq i varfër sa nëna e Tij; kur ajo kishte për ta shpenguar, nuk ofronte dot një qengj, që ishte flijimi për të gjithë ata që kishin mundësi, por ajo paraqiti ofertën më të vogël, një çift pëllumbash, kështu që ajo erdhi si grua e varfër dhe Ai u paraqit para Zotit si Fëmija e gruas së varfër. Këtu ka ngushëllime të mëdha për zemrat e përulura. Kur mendoj se Princi i lavdisë dhe Zoti i engjëjve u përkul kaq poshtë, sa një grua e varfër e mban në krah dhe e quan foshnjën e saj, me siguri që duhet të ketë shpëtim për më të ulëtit, më të varfrit dhe më të rënët poshtë. Kur Zoti i gjithëlavdishëm, në mënyrë që të mishërohej u lind nga një grua e varfër dhe publikisht u njoh si Fëmija e gruas së varfër, ne ndjehemi të sigurt se Ai do të pranojë më të varfrit dhe më të përçmuarit kur ata do të kërkojnë fytyrën e Tij. Po, Jezusi, Bir i zdrukthëtarit, do të thotë shpëtim për zdrukthëtarët dhe për të gjithë njerëzit e thjeshtë e pa pozitë.
Varfërimi i Krishtit, pasurimi ynë
Nuk kishte ndonjë arsye se pse Krishti duhet të ishte i varfër përveçse për shkakun tonë. Disa njerëz kanë qenë gjithmonë të varfër dhe duket sikur me gjithë përpjekjet e tyre asnjëherë nuk dolën dot nga varfëria, por për Zotin tonë Jezu Krisht mund të thuhet me të vërtetë që “Ai ishte i pasur.” A t’ju kthej prapa në mendime te lavdia e përjetësisë kur duke qenë Perëndi i vërtetë sa Perëndia i vërtetë, Ai banoi në kraharorin e Atit? Ai ishte aq i pasur sa nuk varej nga asnjë nga engjëjt që kishte krijuar, as nuk u mbështet për të marrë lavdi në ndonjë nga veprat e duarve të Tij. Me të vërtetë Qielli ishte banesa e Tij, por Ai mund të kishte bërë dhjetëmijë Qiej nëse do të kishte dashur ta bënte një gjë të tillë. Të gjithë mrekullitë që Ai kishte bërë ndonjëherë ishin veçse shembuj mrekullish të tjera që Ai mund t’i bëjë kurdoherë që i pëlqen.
Ai kishte çdo mundësi në pushtetin e Tij për pasuri të paimagjinueshme dhe të pamatshme, megjithatë i la mënjanë të gjitha, i mohoi Vetvetes pushtetin për t’u pasuruar dhe erdhi këtu poshtë në tokë për të na shpëtuar dhe për të na bekuar. Varfëria e Tij ishte e gjitha e vullnetshme; nuk kishte ndonjë arsye për këtë përveçse vetë dashuria e Tij. Nuk kishte ndonjë arsye për aq sa i përkiste Atij për të qenë i varfër; kjo gjë ishte e nevojshme vetëm për faktin se ne ishim në nevojë dhe Ai na deshi aq shumë saqë Ai deshi të na shpëtojë nga varfëria dhe të na bëjë përjetësisht të pasur.
Varfëria e Zotit tonë ishte gjithashtu shumë e theksuar. Besoj se është më se e vërtetë se askush nuk e njeh pickimin e varfërisë ashtu si dikush që ka qenë njëherë e një kohë i pasur. Ai që e di se çfarë është varfëria e madhe, është perandori juaj i rënë, i cili lyp për bukë tani. Ai që e di se çfarë është mjerimi, është njeriu që zotëronte njëherë e një kohë prona të mëdha, por që më pas i duhet të marrë me qera ndonjë kthinë të mjerë. Kështu ndodhi me Shpëtimtarin. Ai pati qenë në mënyrë të theksuar i pasur. Nuk mund t’i mëshojmë dot aq sa duhet fjalës “i pasur” për të përshkruar gjithçka që ishte Jezusi; duhet të kuptoni se është me të vërtetë një fjalë e varfër, edhe pse e pasur, për të përshkruar gjendjen e Tij hyjnore. Ai ishte në mënyrë të theksuar i pasur, prandaj dhe kur zbriti në varfëri, ishte varfëri e skajshme, duke qenë se kontrasti ishte kaq i madh. Ndryshimi midis njeriut më të pasur dhe më të varfrit nuk është asgjë në krahasim me ndryshimin midis Krishtit në lavdinë e Hyjnisë së Tij dhe Krishtit në përuljen e Tij; kjo ulje poshtë ishte krejt e pakrahasueshme. Ju nuk mund ta përshkruani dot pasuritë e Tij dhe nuk mund ta përshkruani dot varfërinë e Tij. Ju nuk e keni fare idenë sa lart ishte Ai si Perëndi dhe asnjëherë nuk mund ta përfytyroni dot se sa shumë Ai e uli Veten kur klithi: “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”
Ishte varfëri e madhe për Krishtin të bëhej njeri. Njerëzimi është diçka e gjorë kur e krahason me Hyjninë. Çfarë hapësire të ngushtë që zë njeriu! Mirëpo Perëndia është i pafund. Sa pak mund të bëjë njeriu! Megjithatë Perëndia është i gjithëpushtetshëm. Sa pak që di njeriu! Ndërsa Perëndia është i gjithëdijshëm! Sa e kufizuar është prania e njeriut! Kurse Perëndia është i kudogjendur! Nuk po them se Jezusi reshti ndonjëherë të qenët Perëndi, por ne po sjellim ndërmend këtu se Ai u bë njeri dhe duke u bërë njeri, Ai u bë i varfër në krahasim me gjendjen e Tij si Perëndi.
Por pastaj edhe si njeri, Ai ishte gjithashtu i varfër. Ai mund të kishte lindur në sallone të mermerta, duke mbajtur skeptrin e perandorisë universale dhe që nga lindja e Tij të nderohej nga të gjithë njerëzit. Mirëpo në vend të kësaj, ju dini se Ai njihej si Biri i zdrukthëtarit dhe nëna e Tij ishte veçse një vajzë hebreje e thjeshtë dhe vendi i Tij i lindjes ishte një ahur, strehë e varfër për Princin e mbretërve të tokës. Jetën e Tij të hershme e kaloi në punishten e zdrukthëtarit dhe më pas pjesa më e madhe e ndjekësve të Tij, ishin peshkatarë dhe për jetesën e Tij të përditshme Ai varej nga bujaria e ndjekësve të Tij.
Apostulli Pal, duke i shkruar kishës së Perëndisë në Korint dhe të gjithë atyre që thërrasin emrin e Zotit Jezu Krisht, tha: “u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së Tij.” Atëherë pra, nëse varfëria e Krishtit është ashtu siç jam përpjekur ta përshkruaj, çfarë duhet të jenë pasuritë e njerëzve të Tij? Nëse pasuritë tona janë në përpjesëtim me varfërinë e Tij, çfarë njerëzish të pasur që jemi! Ai ishte i varfër në mënyrë të skajshme dhe ne, nëse po besojmë në Të, jemi të pasur në mënyrë të skajshme. Aq poshtë sa Ai u ul, aq lart ngrihemi ne. Kjo është mënyra se si funksionojnë peshoret e shenjtërores, aq sa ulet Ai, aq lart shkojmë ne.
Trupi i Krishtit i përgatitur hyjnisht
Pali e prezanton Shpëtimtarin tonë me një shprehje të jashtëzakonshme te Hebrenjve 10:5, “duke hyrë në botë, Ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për Mua një trup.” Trupi i Krishtit u përgatit në mënyrë të posaçme për Të dhe për veprën e Tij të madhe. Si fillim trupi i Tij ishte pa mëkat, pa njollosjen e mëkatit të parë, përndryshe Perëndia nuk mund të banonte në atë trup. Ishte një trup tejet i gjallë dhe i ndjeshëm, mbase shumë më tepër se i yni, sepse mëkati ka një efekt topitës dhe ngurtësues madje edhe në mishin tonë, ndërsa mishi i Krishtit, edhe pse u bë në “shëmbëllim mishi mëkatar” (Romakëve 8:3), nuk ishte gjithsesi mish mëkatar, por mish që i bindej menjëherë frymës së Tij. Trupi i Tij kishte kapacitet për qëndresë të madhe, në mënyrë që të njihte pikëllimet, agonitë dhe trishtimet e pashprehshme, të brishta, të shenjta dhe të ndjeshme që ishte e nevojshme për Të t’i duronte. Kur u plotësua koha, Ai erdhi në atë trup, që ishte përshtatur në mënyrë të mrekullueshme për të mbajtur si thesar Hyjninë.
Ai që mori atë trup ekzistonte para se trupi të përgatitej. Ai thotë: “po bëre gati për mua një trup. Ja, unë po vij” (Hebrenjve 10:5). Asnjë nga ne nuk mund të kishte thënë që një trup ishte bërë gati për ne për të banuar aty, sepse nuk ekzistonim para se trupat tanë të formoheshin. Nga përjetësia në përjetësi, Zoti ynë Jezus është Perëndi dhe Ai del nga përjetësia për të hyrë në kohë, duke e sjellë Ati në botë për të përmbushur qëllimet e mëdha të dashurisë dhe hirit të Tij. Ai ishte para gjithë botëve dhe prandaj Ai ishte para se Ai të vinte në këtë botë për të banuar për një farë kohe në trupin e Tij të përgatitur.
Shumë të dashur, Krishtit iu dha natyra njerëzore në mënyrë që Ai të ishte në gjendje të bënte për ne atë që Perëndia dëshironte dhe kërkonte. Perëndia dëshiroi të shikonte një njeri të bindur, një njeri që do të respektonte plotësisht ligjin e Tij dhe Ai e sheh atë njeri në Krishtin. Perëndia dëshiroi të shikonte dikë që do të vinte në vend drejtësinë e përjetshme dhe të tregonte kështu se mëkati nuk është gjë e vogël; dhe ja Zoti ynë, Biri i përjetshëm i Perëndisë, duke hyrë në atë trup të përgatitur, ishte gati ta realizonte gjithë këtë vepër të fuqishme, duke bërë shlyerjen e plotë të çnderimit tonë të ligjit. Ai i paraqet Perëndisë një drejtësi absolutisht të përkryer; si Adami i dytë, Zoti nga qielli, Ai ia paraqet Atit për të gjithë ata që Ai përfaqëson.
Ai përkul kokën e Tij si viktimë nën shpatën e të Përjetshmit në mënyrë që e vërteta, drejtësia dhe nderi i Perëndisë të ruhej pa asnjë cen. Trupi i Tij ishte “përgatitur” për këtë qëllim. Mishërimi është një mjet për shlyerjen. Vetëm një njeri mund të shlyente ligjin dhe prandaj Biri i Perëndisë u bë njeri. Ky është një qenie e mrekullueshme, ky Perëndi në natyrën tonë. Sigurisht që bota u bë që nga fillimi për Mishërimin dhe Shlyerjen. A ishte kjo arsyeja se pse yjet e mëngjesi kënduan së bashku kur po vendosej guri i qoshes së botës, për shkak se e morën me mend se në këtë gjë Perëndia do të shfaqej si askund tjetër dhe Krijuesi do të bëhej një me krijesën? Ndoshta që Perëndia të mund të shfaqej në Krishtin mund të jetë edhe arsyeja se pse u lejua mëkati të hynte në botë. Padyshim që nuk do të kishte pasur flijim në Kalvar nëse nuk do të kishte pasur së pari mëkat në Eden. Tërë skema, të gjitha dekretet dhe veprat ishin në funksion të një Shpëtimtari mëkatshlyes.
Në piramidën e madhe të Krijimit dhe Providencës, Krishti është maja. Ai është lulja e të gjitha gjërave që Perëndia ka bërë. Natyra e Tij hyjnore, në një lidhje të çuditshme me njerëzimin, përbën një Person të pashoq, të tillë që nuk ka pasur ndonjëherë më parë dhe kurrë nuk do të ketë. Perëndia në natyrën tonë një Qenie e vetme, megjithatë duke veshur dy natyra, është krejtësisht unik. Ai thotë, “po bëre gati për Mua një trup. Ja, unë po vij.” (Hebrenjve 10:5).
Jezu Krishti, Lajmëtar i Vetvetes
“Ja, Unë po vij” thotë Krishti, kështu që Ai është lajmëtar i Vetvetes. Ai nuk pret për një predikues fjalëbukur që drejton ceremoni të mëdha për Të. Ai prezanton Vetveten. Nuk keni nevojë të bëni ndonjë gjë për t’i tërhequr vëmendjen Krishtit; është Krishti që tërheq vëmendjen te Vetvetja. A e shihni këtë? Ju jeni lakuriqi i natës i verbër dhe Ai është gjithë sy drejt jush dhe ju fton të shikoni te Ai. Ai ju fton të shikoni tek Ai kur ju e përgjëroheni që të shikojë te ju.
Krishti ka ardhur te shumë burra dhe gra madje edhe kur ata nuk e kanë kërkuar aspak. Po, Ai ka ardhur madje edhe tek ata që e kishin urryer. Sauli i Tarsit ishte në udhëtim e sipër për t’i rënë në qafë shenjtorëve të Damaskut, por Jezusi tha: “Ja, Unë po vij” dhe kur shikoi lart nga qielli, Ai e ktheu Saulin, përndjekësin, në Pal, apostull. Ajo fjalë e hirshme është përmbushur në vazhdimësi: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, Unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për Mua” ( Romakëve 10:20). Këtu kemi sovranitetin e lavdishëm të dashurisë së Tij plotësisht të ushtruar dhe hirin që mbretëron si hir suprem. “Ja, Unë po vij” është lajmërimi i hirit madhështor që nuk pret për njeriun as nuk vonohet për bijtë e njerëzve.
Para se Ai të vinte, gjente ëndje të madhe në mendimin e Mishërimit të Tij. Urtësia supreme thotë: “gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.” Ai ishte i lumtur në oborret e Atit, megjithatë Ai e priste me padurim të hynte në lumturinë e të bërit njeri. Dikush thotë: “A mund të jetë kjo e vërtetë?” A mund të ishte Biri i Perëndisë më i lumtur sesa në Qiell? Si Perëndi Ai ishte pafundësisht i lumtur, por Ai nuk e njihte aspak nga përvoja jetën e njeriut dhe në atë sferë Ai dëshironte të hynte. Hyjnia nuk mund të ketë zmadhim, sepse është i pafund, por gjithsesi mund të ketë shtesë; Zoti ynë kishte për t’i shtuar natyrën njerëzore natyrës së Perëndisë. Ai do të jetonte si njeri, do të vuante si njeri dhe do të triumfonte si njeri dhe megjithatë duke mbetur Perëndi, dhe këtë gjë Ai e priti me padurim dhe me një ëndje të habitshme, e cila është e pashpjegueshme përveçse prej dashurisë së madhe ndaj nesh. Ai ia pati dhënë zemrën e Tij aq thellësisht nuses së Tij të dashur, të cilën e pa në xhamin e paracaktimit, sa për të Ai ishte i gatshëm t’i duronte të gjitha.
“Po, thotë Zoti, për të gjithçka provoj
Përmes gjithë thellësive të pikëllimit kaloj,
Dhe në kryq madje do të guxoj
dhimbjet e hidhura të vdekjes të duroj.”
Ishte dashuri e mrekullueshme. Dashuria e Zotit tonë tejkalon çdo fjalë e mendim.
Kur Ai shfaqet, shfaqet si Zoti personal. Vëreni në veçanti përemrin “Ja, Unë po vij.” Uni i pafund shfaqet “Ja, Unë po vij.” Asnjë njeri i zakonshëm nuk mund të flasë në këtë mënyrë dhe të konsiderohej me mendje të shëndoshë. Asnjë shërbëtor apo profet i Perëndisë nuk do të kishte thënë ndonjëherë “Ja, Unë po vij.” Shenjtorët nuk flasin në këtë mënyrë. Profetët e Perëndisë dhe apostujt e kuptojnë modestinë e pozicionit të tyre, ata asnjëherë nuk e lartësojnë vetveten, megjithëse ata lartësojnë detyrën e tyre. Vetëm Perëndia ka të drejtën të thotë: “Ja, Unë po vij.” Ai që e thotë, merr trupin njerëzor të përgatitur për Të dhe vjen në vetë personalitetin e Tij të përshtatshëm si UNË JAM. Ai lë pallatet e fildishta që të banojë në çadrat njerëzore dhe Ai shfaqet në personalitetin e Tij të pashoq i gatshëm për të bërë vullnetin e Perëndisë.
“Ja, Unë po vij.” Kjo nuk është një këngë vaji. Më duket sikur po dëgjoj tingullin e trumbetës të argjendtë: “Ja, po ju vij.” Këto fjalë tregojnë një gëzim të madh dhe një zell të fuqishëm. Ai donte me të madh që të vinte si Shpëtimtar. “i Cili, për gëzimin që ishte përpara Tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen” (Hebrenjve 12:2). Ky nuk është një bashkim i fshehtë. Ai fton qiellin ta shikojë teksa vjen në natyrën tonë dhe i bën thirrje gjithë tokës të ngulisë sytë te misteri i mrekullueshëm.
Zoti ynë Jezus është udha për te Vetvetja. A e keni kuptuar ndonjëherë këtë gjë? Ai Vetë vjen te ne dhe kështu Ai është rruga me anë të së cilës ne e takojmë Atë. Ai thotë: “Unë jam udha” (Gjoni 14:6). Ai është prehja jonë dhe udha për te prehja jonë. Ti po thua se do që të dish sesi të shkosh te Krishti? Nuk është e nevojshme të shkosh te Ai, sepse Ai ka ardhur te Ti. Është gjë e mirë për ty të shkosh te Krishti, por kjo është bërë e mundur vetëm ngaqë Krishti ka ardhur te Ti. Jezusi është afër teje, afër teje tani. Ti që ke rënë sërish në mëkat, Ai vjen tek ti! Shpirt endacak, që po endesh pothuajse deri te pragu i mallkimit, Bariu i mirë thërret: “Ja, Unë po vij.”
Mbani mend gjithashtu se Ai Vetë është bekimi që Ai sjell. Jezusi jo vetëm që jep jetë dhe ringjallje, por Ai thotë: “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25). Krishti është shpëtimi dhe çdo gjë e nevojshme për shpëtim gjendet në Të. Nëse Ai vjen, të gjitha të mirat vijnë me Të ose më saktë në Të. Dikush i tha një predikuesi: “Hapi tjetër për mua është që të kem një bindje më të thellë për mëkatin.” Predikuesi u përgjigj: “Aspak, hapi tjetër që duhet të bësh është ta vendosësh besimin në Jezusin, sepse Ai thotë: “Ejani tek Unë.” Të shkosh tek Jezusi ose më mirë të hapësh zemrën për Jezusin që ka ardhur për ne, është hapi thelbësor për në shpëtimin e përjetshëm.
Megjithëse Zoti ynë thotë: “Ejani tek Unë,” Ai e ka paraprirë me fjalën tjetër: “Ja, Unë po Vij.” Çalaman i gjorë, nëse nuk shkon dot tek Jezusi, kërkoi Atij të vijë te ti dhe Ai do të vijë. Ti po lëngon në këtë gjendje prej shumë vitesh, nuk ke njeri të të ndihmojë të futesh në pellg dhe nuk do të sillte ndonjë dobi nëse do të futeshe, por Jezusi mund të të shërojë dhe Ai është këtu. Nuk mund të lëvizësh as duar as këmbë për shkak të paralizës shpirtërore, por rasti yt nuk është i pashpresë. Jezusi tha: “Ja, Unë po vij.” Ai nuk është i paralizuar. Ai mund të vijë, duke kapërcyer mbi malet që na ndajnë. Unë e di se Zoti im erdhi tek unë, përndryshe kurrë nuk do të kisha vajtur tek Ai; pse atëherë Ai nuk do të vinte te ti? Unë erdha tek Ai, sepse Ai erdhi tek Unë.
“Ai më tërhoqi unë e ndoqa dhe gëzoj
Me gjithë zemër të rrëfej Zërin Hyjnor.”
Pse vallë nuk do të të tërhiqte edhe ty? A nuk po të tërheq tashmë? Dorëzoju nxitjes së dashurisë së Tij.
Jezu Krishti, “Plot hir e të vërtetë”
Ndërsa përshkruan ardhjen e Krishtit, Gjoni thotë: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Në Jezu Krishtin shihen të gjitha atributet e Perëndisë, të mbuluara dhe megjithatë mjaft të dukshme. Vetëm të duhet të lexosh Ungjijtë dhe të shikosh me sy që duan të shohin dhe do të shohësh në Krishtin gjithçka që mund të shihet në Perëndinë. Është fshehur në mish njerëzor siç është e domosdoshme, sepse lavdia e Perëndisë nuk mund të shihet nga ne në mënyrë absolute. Është zbutur për këto sy tanë të dobët, por Hyjnia është aty, Hyjnia e përkryer e bashkuar me anën njerëzore të përkryer të Krishtit Jezus, Zotit tonë, të Cilit i qoftë lavdia në shekuj të shekujve.
Dy gjërat Hyjnore që shihen më qartë se çdo gjë tjetër në Jezu Krishtin janë “hiri dhe e vërteta.” Krishti nuk erdhi thjesht për të na treguar për hirin, por me të vërtetë të na sillte hir. Ai nuk është thjesht plot me lajme të hirit dhe të vërtetës, por plot me hir dhe të vërtetë në vetvete. Të tjerët kishin qenë korrierë të lajmeve të hirshme, por Ai erdhi të sillte hir. Të tjerët na mësojnë të vërteta, por Jezusi është e vërteta. Ai është hiri dhe e vërteta për të cilën folën të tjerët. Jezusi nuk është thjesht një Mësues, një Inkurajues, një Punëtor i Hirit dhe të Vërtetës, por këto gjëra hyjnore janë në Të dhe Ai është plot me ta.
Krishti na ka sjellë hir si lumenj dhe të vërtetën si rrjedhë të fuqishme dhe të dy lumenjtë bashkohen në një plotësi hiri dhe të vërtete. Kjo do të thotë që hiri është hir i vërtetë; jo hir përrallash apo fantazish, jo hir për t’u shpresuar apo hir për t’u ëndërruar, por hir çdo atom i të cilit është fakt; shpengim që shpengon me të vërtetë, falje që me të vërtetë fshin mëkatet, përtëritje që me të vërtetë rilind, shpëtim që shpëton plotësisht. Ne nuk kemi në Krishtin thjesht hije bekimesh që magjepsin sytë dhe mashtrojnë shpirtin, por favore reale dhe thelbësore nga Perëndia që nuk mund të gënjejë.
Krishti ka ardhur të na sjellë hir dhe të vërtetë, me fjalë të tjera, nuk është një e vërtetë që censuron, dënon dhe ndëshkon; është e vërtetë e hirshme, e vërtetë e mbushur me dashuri, e vërtetë plot e për plot me mëshirë. E vërteta që Jezusi u sjell njerëzve të Tij vjen nga vendi i mëshirës (pajtuesi). Ka hir për njerëzit e Perëndisë në çdo gjë që rrjedh nga buzët e Jezu Krishtit. Buzët e Tij janë si zambakët që lëshojnë erë të ëmbël mirre. Mirra në vetvete është hidhur, por hiri i Zotit tonë Jezu Krisht është i tillë që buzët e Tij i japin ëmbëlsi. Vini re sesi hiri dhe e vërteta shkrihen me njëri tjetrin dhe vërtetojnë njëri tjetrin. Hiri është i gjithi i vërtetë dhe e vërteta është e gjitha e hirshme. Kjo është një përbërje e mrekullueshme e bërë sipas artit të Farmacistit Hyjnor. Ku tjetër mund të jetë hiri aq i vërtetë apo e vërteta aq e hirshme?
Për më tepër, hiri dhe e vërteta janë në baraspeshë në Krishtin në mënyrë të bekuar. Ai është plot hir, por pastaj Ai nuk ka lënë pas dore atë cilësinë tjetër e cila është disi më e rreptë, domethënë të vërtetën. Kam njohur shumë njerëz në këtë botë që kanë qenë shumë të dashur dhe plot ndjenja të ngrohta, por që nuk kanë qenë besnikë dhe nga ana tjetër kam njohur njerëz që ishin rreptësisht të ndershëm dhe të sinqertë, por pa qenë të ndjeshëm dhe të dashur. Mirëpo në Zotin Jezu Krisht, nuk ka asnjë defekt në asnjërën anë. Ai është plot hir që fton me të vërtetë tagrambledhësit dhe mëkatarët te Ai Vetë, por Ai është plot të vërtetë që zmbraps me të vërtetë hipokritin dhe fariseun. Ai nuk i fsheh njeriut ndonjë të vërtetë sado e tmerrshme mund të jetë, por Ai hapur deklaron zemërimin e Perëndisë kundër çdo padrejtësie. Mirëpo kur Ai ka folur të vërtetën e tmerrshme, Ai e ka shprehur në një mënyrë aq të hirshme dhe aq të butë, me aq shumë lot dhembshurie për të paditurin dhe për ata që kanë dalë jashtë udhës, saqë ta fiton zemrën po aq sa edhe e vërteta e Tij të bind. Shërbesa e Zotit tonë nuk është vetëm e vërteta, as vetëm hiri, por është e baraspeshuar, një sistem i mirërregulluar i hirit dhe të vërtetës. Zoti Vetë është Mbret i drejtësisë dhe Mbret i paqes. Ai madje nuk shpëton padrejtësisht, as nuk e shpall të vërtetën pa dashuri. Hiri dhe e vërteta spikatin në Të në mënyrë të barabartë.
Por këto cilësi gjenden në Zotin tonë po ashtu plot e për plot. Ai është “plot hir.” Kush tjetër mund të jetë kështu? Në Personin e Jezu Krishtit, i gjithë hiri i pamasë i Perëndisë është i grumbulluar si thesar. Perëndia ka bërë për ne përmes Krishtit Jezus jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë apo madje mendojmë. Nuk është e mundur për imagjinatën tonë të përfytyrojë ndonjë më të hirshëm sesa Perëndia në Krishtin Jezus dhe ka po aq plotësi të vërtete në Zotin tonë. Ai Vetë ndërsa vjen te ne si zbulesa dhe shfaqja e Perëndisë, na deklaron jo një pjesë të vërtetës, por të gjithë të vërtetën. Gjithçka e Perëndisë është në Krishtin dhe gjithçka-ja e Perëndisë do të thotë gjithçka që është e vërtetë, gjithçka që është besnike, gjithçka që është e drejtë, gjithçka që është sipas drejtësisë dhe shenjtërisë. Nuk ka të vërtetë që na është fshehur që mund të na alarmojë dhe nuk ka asgjë që mund të tundë sigurinë tonë në Krishtin, as nga ana tjetër nuk është mbajtur e fshehur asnjë e vërtetë që do të kishte rritur vendosmërinë tonë. Ai u tha dishepujve të Tij, në lidhje me lavditë e shtëpisë së Atit të Tij atje lart: “përndryshe do t’ju thoja.” Mos thoni me Pilatin: “Çfarë është e vërteta?”, por shikojeni të vërtetën në Birin e shtrenjtë të Perëndisë. E gjithë e vërteta dhe i gjithë hiri banojnë në Krishtin me gjithë plotësinë e tyre përtej çdo të kuptuari dhe të dy qëndrojnë përgjithnjë në gjirin e njëri tjetrit, për të na bekuar me gëzim dhe lavdi të pakufishëm dhe të pafund.
Zoti ynë Jezu Krisht është po ashtu plot hir dhe të vërtetë edhe në kuptimin se Ai trajton me vërtetësi çështjet faktike që kanë të bëjnë me shpëtimin tonë. E di pikëpamjen e botës që mendon se shpëtimi i Krishtit është një ëndërr e bukur, një pjesë e bukur prekëse, mirëpo nuk ka asgjë ëndërruese në lidhje me të, nuk është përrallë, është fakt për mbi fakt. Zoti Jezu Krisht nuk lustron apo fsheh gjendjen e njeriut në mënyrë që të sigurojë shpëtimin e njeriut. Ai e gjen njeriun të dënuar dhe të dënuar në kuptimin më të keq, të dënuar me dënim kapital dhe si Zëvendësuesi i njeriut, Ai merr mbi vete dënimin kapital dhe vdes në vend të mëkatarit. Zoti Jezus e shikon mëkatarin si të korruptuar, po, si të vdekur në faje dhe mëkate dhe Ai e ngjall me anë të vetë jetës së Tij ringjallëse. Ai nuk i mbyll sytë në lidhje me rezultatet e Rënies në mëkat dhe ndaj fajit të mëkatit ekzistues, por Ai vjen te mëkatari i vdekur dhe i jep jetë. Ai e prek zemrën e sëmurë dhe e shëron.
Për mua Ungjilli është një mishërim i mrekullueshëm urtësie të plotfuqishme dhe të vërtete. Nëse Ungjilli do t’i kishte thënë njeriut: “Ligji i Perëndisë sigurisht që është i drejtë, por është tepër i ashpër, tepër i rreptë dhe prandaj Perëndia do të mbyllë sytë ndaj shumë mëkateve dhe do të sigurojë shpëtim duke mos e dënuar një pjesë të mirë të fajit njerëzor” ne gjithmonë do të kishim qenë në rrezik. Nëse Perëndia mund të na shpëtonte duke u treguar i padrejtë, Ai gjithashtu mund të tregohej i ndryshueshëm dhe të na hidhte tutje. Nëse do të kishte ndonjë gjë të prishur në strukturën e shpëtimit të bërë nga Perëndia, ne do të frikësoheshim se mos në fund fare nuk do të mbante dot. Por ndërtesa është e sigurt dhe themeli është i palëkundur, sepse Zoti ka gërmuar thellë në shkëmbin e fortë. Ai ka eliminuar çdo gjë të rreme dhe subjektive dhe shpëtimi i Tij është real dhe thelbësor në çdo pikë. Është një shpëtim i lavdishëm i hirit dhe të vërtetës, ku Perëndia e merr mëkatarin ashtu siç është dhe e trajton ashtu siç është; po, dhe e trajton mëkatarin ashtu siç Perëndia është, mbi parimet e drejtësisë së vërtetë dhe megjithatë e shpëton, sepse Perëndia e trajton sipas hirit dhe ky hir nxit shumë shpresa dhe këto shpresa realizohen të gjitha, sepse janë të bazuar mbi të vërtetën e Perëndisë.
Plotësia e Krishtit, marrë nga Njerëzit e Tij
Gjoni nuk thotë vetëm se Zoti Jezu Krisht është “plot hir dhe të vërtetë,” por shton “dhe ne të gjithë morëm, prej plotësisë së Tij” (Gjoni 1:16). Jo veç vetëm një shenjtor ka marrë hir nga Shpengimtari, por të gjithë pa përjashtim, dhe ata nuk kanë marrë veç një pjesë të bekimeve të hirit nga Jezusi, por gjithçka që kanë pasur ndonjëherë e kanë marrë nga Ai.
Do të ishte një vegim i mrekullueshëm nëse do të shihnim tani të kalonin para nesh procesioni i gjatë i të zgjedhurve, të mëdhenjve dhe të vegjëlve, i apostujve të mrekullueshëm dhe ushtrisë fisnike të martirëve, që njëherë e një kohë vajtues, por tani të penduar plot gëzim. Ja ku janë! Më duket sikur po i shoh të gjithë me rroba të bardha, duke mbajtur palmat e fitores. Mirëpo nuk do të jeni në gjendje të gjeni në këtë procesion të gjatë asnjë që do të pretendonte se ka marrë hir nga ndonjë burim tjetër përveç Krishtit ose të thotë: “Ia kam borxh Krishtit hirin e parë, por mora më shumë hir diku tjetër.” Jo, dëshmia unanime e të përlëvduarve është: “Ne të gjithë morëm, prej plotësisë së Tij.” Syri im i brendshëm dallon turmën e panumërt ndërsa procesioni i mahnitshëm kalon dhe vërej se si secili prej shenjtorëve përkulet me përulje para fronit të Qengjit dhe të gjithë së bashku thërrasin: “Ne të gjithë morëm, prej plotësisë së Tij.” Kushdo që të jemi, sado që me besnikëri t’i kemi shërbyer Zotit tonë, çfarë do nderi të kemi fituar, e gjithë lavdia i përket Zotit tonë, që na ka mundësuar ta përfundojmë garën dhe të fitojmë çmimin. “Non nobis, Domine!” është thirrja jonë; “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit Tënd jepi lavdi!” (Psalmi 115:1).
Prandaj pra, çfarë të vërtete të çmuar që kemi para nesh, që të gjithë shenjtorët në të gjitha epokat kanë qenë pikërisht çfarë ne duhet të jemi nëse shpëtohemi, domethënë marrës! Ata nuk paraqitën para Krishtit ndonjë meritë të tyren, por gjithçka e morën prej Tij. Nëse në këtë moment do të hidhnin kurorat e tyre te këmbët e Tij, ato kurora i kishin marrë prej Tij. Rrobat e tyre të bardha janë rrobat e dasmës që Ai u ka siguruar. I gjithë rrugëtimi i shenjtorëve është duke marrë. Asnjë nga shenjtorët më lart nuk flet për ç’ ka i kanë dhënë Jezusit, asnjë prej tyre nuk flet për çfarë vjen prej tyre, por pa as dhe një përjashtim të vetëm, të gjithë japin dëshminë se kanë marrë prej plotësisë së Jezusit.
Kjo e vërtetë hedh baltë mbi fytyrën e vetëmjaftueshmërisë së njeriut. A është e mundur vallë?!, asnjë shenjtor nuk ka pasur sadopak hir nga vetvetja? Nuk paska asnjë nga turma i të favorizuarve që mund të siguronte për veten? Jo as edhe një i vetëm. A u mbështet dikush prej tyre te veprat e ligjit? Jo, ata të gjithë shkuan te Jezusi dhe Hiri i Tij, jo te Moisiu dhe ligji. A e vendosi besimin ndonjë prej tyre te priftërinjtë me vajosje tokësore? A u përkul ndonjëri prej tyre para etërve të shenjtë dhe martirëve për të marrë faljen e mëkateve? Nuk thuhet asnjë fjalë për këta njerëz të nderuar, madje as edhe një rrokje në lidhje me përgjërime drejtuar shenjtorëve dhe shenjtoreve, por të gjithë të shpëtuarit deklarojnë se morën hir dhe shpëtim drejtpërdrejt nga Plotësia e Tij, që mbush të gjitha në gjithçka.
Këta shenjtorë marrës morën me bollëk nga plotësia e Krishtit. Ata tërhoqën nga bollëku dhe morën aty plot, siç duket se tregojnë edhe fjalët. Ia vlen ndërkohë të dallojmë thjeshtësinë e mrekullueshme të veprimit të vetëm me anë të cilit vjen shpëtimi te të gjithë shenjtorët. Është thjesht nëpërmjet marrjes. Tani të marrësh është gjë shumë e kollajshme. Ka plot gjëra që nuk mund t’i bëni dot, por miku im i dashur padyshim që do ta merrje një monedhë, nëse dikush do ta jepte, do ta pranoje apo jo? Nuk gjendet asnjë njeri me mendje të shëndoshë, burrë, grua apo fëmijë që nuk është në gjendje të marrë a të pranojë. Çdo njeri duket se është në gjendje të marrë çfarë do lloj shume dhe po ashtu në lidhje me shpëtimin nuk duhet të bëjë asgjë tjetër, veç thjesht të marrë atë çfarë jep Krishti.
Ja duart e lypësit dhe nëse do t’i duhej të shkruante ndonjë letër të bukur, nuk mund ta bënte dot, por ama mund të marrin lëmoshë. Pyete lypësin vetë dhe ai do të të thotë të njëjtën gjë. Ja një dorë tjetër lypëse, a nuk e sheh se është e paralizuar? Shikoje si tundet dhe dridhet! Ah! Por gjithsesi është në gjendje të marrë. Shumë duar të paralizuar kanë marrë gurë të çmuar. Por dora që shoh tani jo vetëm që është e zezë dhe e paralizuar, por është dorë lebrose dhe asgjë nuk mund ta pastrojë dot, megjithatë edhe kjo dorë është në gjendje të marrë dhe shenjtorët janë bërë shenjtorë dhe kanë mbetur shenjtorë duke bërë pikërisht të njëjtën gjë që ajo dorë e zezë, e dridhur dhe lebrose është në gjendje të bëjë. Nuk kishte në Gjonin ndonjë gjë të mirë përveç çfarë kishte marrë nga Mjeshtri i Tij; nuk kishte as dhe një grimë kurajë që Stefani fisnik para se të martirizohej nuk e kishte marrë nga Krishti. Pali, Apoli, Kefa, të gjithë këta nuk kishin asgjë përveç asaj që kishin marrë prej Tij. Nëse atëherë ata morën çdo gjë nga Krishti, e pse ne vallë hezitojmë të bëjmë të njëjtën gjë?
I gjithë hiri i tyre erdhi duke marrë, kështu që i dashur lexues, po të bëj pyetjen: A ke marrë prej plotësisë së Krishtit? A ke vajtur tek Ai me duar bosh dhe a e ke marrë Atë për t’u bërë Gjithçka-ja jote në gjithçka? E di se çfarë ke bërë në fillim. Ke qenë i zënë duke grumbulluar pirgjet shkëlqyese të meritave të tua dhe duke i vlerësuar sikur të ishin flori, mirëpo zbulove se mundi yt nuk solli asnjë dobi, kështu që në fund fare shkove te Krishti duar bosh dhe i the: “ Shpëtimtari im i dashur, vetëm më jep Veten tënde dhe do të braktis çdo mendim të meritave të mia. Heq dorë nga veprat dhe përpjekjet e mia dhe të marr Ty si gjithçka-ja për mua.” Nëse kjo ka ndodhur me të vërtetë, atëherë mik i dashur, je i shpëtuar, sepse pranimi i Krishtit është shenja dalluese e shenjtorëve.
Plotësia e Hirit të Perëndisë është vendosur atje ku mund ta merrni, atje ku mund ta merrni tani, sepse është vendosur në Të që është vëllai yt, kockë e kockës tuaj dhe mish i mishit tuaj; banon tek Ai që dëshiron fort t’ua japë, sepse si Kreu ynë, Ai gjen ëndje të madhe t’u përçojë hir të gjithë pjesëtarëve të trupit të Tij mistik. Bollëku i hirit banon te Ai që është i juaji dhe meqë Ai është i juaji, gjithçka që është në Të është e juaja. Ju nuk duhet të luteni sikur të mos kishit trashëgimi në bekimet që kërkoni. Krishti është Kujdestari i plotësisë së Perëndisë dhe e drejta e zotërimit të saj iu është dhënë njerëzve të Tij; ju nevojitet veç të kërkoni nga Ai dhe Ai do t’ju japë çfarë është e juaja tashmë. Pse hezitoni? Pse po vonoheni? Ati e ka vendosur hirin e Tij në Krishtin nga dashuria për Birin e Tij. E kënaq zemrën e Perëndisë së madh ta shikojë Jezusin të adhuruar me plotësinë e Hyjnisë, dhe çdo herë që Jezusi u jep hir besimtarëve, zemra e Perëndisë gëzohet. Si mund të hezitoni pra ta merrni nëse Perëndisë i pëlqen të keni pjesë aty? Ju mund të shkoni me shpresa të mëdha ngushëlluese meqë Vetë Jezusi nderohet ngaqë ju shkoni tek Ai. Ai merr lavdi duke u shpërndarë nga plotësia e Tij mëkatarëve duarbosh, të cilët kur marrin hir e duan pa kusht; atëherë pra, pse vallë mendoni që Ai heziton të japë dhuratën që rrit lavdinë e Tij?
Ndërsa mendoj mbi këtë temë, më vijnë në mendje kujtime të bukura të çastit kur këta sy për herë të parë shikuan te Krishti dhe u ndriçuan, kur mora faljen nga dashuria e Tij deri në vdekje dhe e pashë veten të falur. A nuk kanë shumë nga lexuesit e mi kujtime të ngjashme? Dhe që nga koha e shpëtimit tuaj, a nuk është e vërtetë se çdo gjë që keni marrë ndonjëherë, e keni marrë nga Zoti juaj? Çfarë keni pirë prej rezervuarit tuaj? Çfarë thesari keni gjetur në arat tuaja? Lakuriqësi, varfëri, mjerim, vdekje, këto janë të vetmet zotërime të natyrës sonë, por ama jeta, pasuritë, plotësia, gëzimi, këto janë dhurata të hirit përmes Jezu Krishtit. A jeni pranuar para Perëndisë? Atëherë Ai ju ka shfajësuar. A jeni ruajtur? Atëherë, Ai ju ka ruajtur. A jeni shenjtëruar? Atëherë Ai ju ka pastruar me anë të gjakut të Tij. A e dini me siguri të plotë pjesëmarrjen tuaj në dashurinë e Atit? Atëherë, është Ai që ju ka dhënë këtë siguri. Gjithçka që keni dhe gjithçka që do të keni ndonjëherë, gjithçka që çdo shenjtor i ardhshëm do të ketë, që ia vlen ta kesh, e gjitha është marrë dhe do të merret prej plotësisë së Krishtit.
A e dini po ashtu se kur merrni nga Krishti, ju fitoni nga ky veprim në vetvete? Unë jam kaq mirënjohës që Krishti nuk më ka dhënë gjithë plotësinë e Tij, sepse atëherë nuk do të kërkoja të shkoja aq shpesh te Ai ose nëse do të shkoja tek Ai, nuk do të kisha arsye aq të ngutshme që do të përligjte vëmendjen e Tij, por tani çdo herë që shkoj te dera e Krishtit, shkoj atje, sepse jam në nevojë. Ne shkojmë te Ai, sepse duhet të shkojmë. Kur është ajo orë që besimtari nuk ka nevojë të marrë nga Jezusi? Shko shpesh atëherë i dashur tek Ati, sepse vajtjet e tua nderojnë Krishtin, i pëlqejnë Perëndisë dhe është mjeti i pasurimit të shpirtit tënd.
Vend për Krishtin Jezus
Pallati mbretëror, sheshi, hani nuk kishin vend për Krishtin, a keni ju vend për Të? “Po mirë” thotë dikush: “Unë kam vend për Të, por nuk jam i denjë që Ai të vijë tek unë.” Ah! Nuk të pyeta për denjësinë tënde, por a ke vend për Të? “Oh” thotë një tjetër: “Kam një boshllëk të madh që bota nuk mund ta mbushë dot.” Ah! E shoh që keni vend për Krishtin. “Oh, por vendi që kam në zemrën time është kaq i ulët.” Kështu ishte grazhdi në Betlehem. “Por është një vend kaq i përçmueshëm!” Po kështu ishte edhe grazhdi i Betlehemit. “Ah! Po zemra ime është kaq e papastër.” Ndoshta kështu mund të ketë qenë edhe grazhdi. “Oh, por ndjehem se nuk është një vend i përshtatshëm për Krishtin!” As grazhdi nuk ishte një vend i përshtatshëm për Të dhe megjithatë atje Ai u shtri. “Oh! Por kam qenë kaq mëkatar i madh. Ndjehem sikur zemra ime ka qenë një strofull kafshësh të egra.” E po mirë, ki parasysh se grazhdi ishte një vend ku ishin ushqyer kafshët.
E përsëris pyetjen, a ke vend për Krishtin në zemrën tënde? Mos u shqetëso sesi ka qenë jeta jote e mëparshme. Ai mund të harrojë dhe mund të falë. Po ashtu, nuk ka rëndësi se në çfarë gjendje je tani nëse sinqerisht po vajton për mëkatin tënd. Mjafton të kesh vend për Krishtin, Ai do të vijë dhe do të jetë Miku Yt. Mos thoni, “Shpresoj se do të kem vend për Të.” Mesazhi i Ungjillit është: “`Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e Tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes” (Hebrenjve 3:15), “Ja, tani, është koha e pëlqyer, ja, tani është dita e shpëtimit” (2 Korintasve 6:2). Bëj vend për Jezusin! Bëj vend për Jezusin tani!
“Oh” thotë njëri: “Unë kam vend për Të, por a do të vijë Ai te unë?” A do të vijë? Vetëm hap derën e zemrës tënde, vetëm thuaj “Zoti Jezus, kështu siç jam tërësisht i padenjë dhe i papastër, shikoj te Ti, mbështetem te Ti me besim, eja Ti dhe bano brenda zemrës time” dhe Ai do të vijë te ti dhe do ta pastrojë grazhdin e zemrës tënde; madje jo vetëm kaq, por Ai do ta transformojë atë në një fron të artë dhe Atje Ai do të ulet dhe do të mbretërojë përgjithmonë. Unë gëzohem që mund të bëj të njohur një Krisht të tillë falas, një Jezus të tillë të çmuar e të dashur; Dikë që është i gatshëm të gjejë një shtëpi në çdo zemër të përulur që e pranon. Oh! Do të jetë një ditë e lumtur për ty kur do të mundësohesh ta marrësh në kraharorin tënd dhe ta pranosh si Ngushëllimi i Izraelit. Atëherë mund të presësh me gëzim edhe vetë ditën e vdekjes dhe mund të thuash bashkë me Simeonin e moshuar, “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin Tënd” (Lluka 2:29-30).
Mjeshtri im po kërkon për një vend dhe Unë si lajmëtari i Tij, bërtas me zë të lartë: “Vend për Shpëtimtarin! Vend! Ja ku është Mjeshtri im mbretëror, a keni vend për Të? Ja ku është Biri i Perëndisë në trup njerëzor, a keni vend për Të? Ja ku është Ai që mund të falë gjithë mëkatin, a keni vend për Të? Ja ku është Ai që mund t’ju nxjerrë nga gropa e tmerrshme dhe bataku i madh, a keni vend për Të? Ja ku është Ai që kur vjen në shpirtin tënd, nuk do të largohet më, por do të qëndrojë me ty përgjithmonë, për ta bërë zemrën tënde një parajsë gëzimi dhe lumnie përmes pranisë së Tij. A nuk ke vallë vend për Të?” Kjo është çfarë Ai kërkon? Zbrazëtia jote, hiçi jot, boshllëku i ndjenjave, mungesa e dashamirësisë, mungesa e hirit, të gjitha këto janë vend për Të.
Gjoni na thotë se: “por të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë” (Gjoni 1:12) dhe në ditën e fundit, Zoti Jezus do t’u thotë atyre që janë në të djathtë të Tij: “isha i huaj dhe më futët brenda” (Mateu 25:35). A nuk është diçka e çuditshme se “Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të Tij” ( Gjoni 1:10) dhe megjithatë Ai ishte në botë i huaj? Prapëseprapë është po aq e vërtetë sa edhe e çuditshme, sepse kur Ai u lind nuk kishte vend për të në han. Hanet i kishin dyert e hapura për të huajt e zakonshëm, por jo për Të, sepse Ai ishte edhe më shumë i huaj se kushdo tjetër prej atyre që ishin rrotull Tij.
Ishte Betlehemi i Davidit, selia e familjes së lashtë së cilës Ai i përkiste, por sa keq! Ai i ishte bërë “një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënës së Tij” dhe asnjë derë nuk u hap për Të. Shpejt nuk ishte më i sigurt as në vetë vendlindjen e vet, sepse Herodi mbreti kërkonte jetën e Foshnjës dhe Ai duhet të largohej për në Egjipt, për të qenë i huaj në një tokë të huaj dhe më keq se një i huaj, mërgimtar dhe i arratisur nga vendi ku ishte Mbret prej lindjes.
Mbasi kthehet dhe shfaqet aty publikisht, prapë nuk kishte vend për Të mes popullit. Ai erdhi në Izraelin e Tij dhe profetët e kishin zbuluar Atë para Izraelit dhe tipat e ndryshëm përgjatë historisë e kishin nxjerrë në pah, por ata nuk e pranojnë. “Ai u përçmua dhe u hodh poshtë nga njerëzit.” Ai ishte Njeriu “që urrehej nga njerëzit,” të cilin e urryen aq shumë sa thirrën: “Largoje!, Kryqëzoje! Kryqëzoje!” Hebrenjtë dhe johebrenjtë komplotuan për të provuar sa i huaj me të vërtetë që Ai ishte. Judenjtë thanë: “sa për Atë, nuk e dimë se nga është” dhe guvernatori romak e pyeti: “nga je Ti?” Mbase gjëja më e çuditshme dhe më e mahnitshme mbi të gjitha është se ky i Panjohur Qiellor është i gatshëm të pranohet nga ne dhe se denjon të banojë në zemrat tona. Një i tillë si Jezusi te një i tillë si unë! Mbreti i Lavdisë në kraharorin e mëkatarit! Kjo është një mrekulli e hirit, megjithatë mënyra e përmbushjes së saj është mjaft e thjeshtë. Një besim me përulje dhe pendim hap derën dhe Jezusi hyn në zemër menjëherë. Dashuria mbyll derën me dorën e pendimit dhe vigjilenca e shenjtë mban jashtë furacakët. Kështu premtimi realizohet, “nëse dikush dëgjon zërin Tim dhe të hapë derën, Unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me Mua.” Përsiatja, soditja, lutja, lëvdimi dhe bindja e përditshme e mbajnë shtëpinë në rregull për Zotin dhe më pas ndjek kushtimi i gjithë natyrës sonë për përdorimin nga Ai si një tempull; përkushtimi i frymës, shpirtit dhe trupit dhe gjithë fuqive të tyre, si enë të shenjta të shenjtërores; shkrimi i “Shenjtërim Zotit” mbi çdo gjë përreth nesh, derisa edhe vetë rrobat tona të përditshme bëhen veshje ceremoniale, vaktet tona sakramente, jeta jonë një shërbesë dhe vetë ne priftërinj të Perëndisë Shumë të Lartë. Oh, begenisja e jashtëzakonshme e këtij banimi përbrenda nesh të Krishtit! Ai kurrë nuk banoi në një engjëll, por ama qëndron me frymën e thyer. Ka një botë të tërë me kuptim në fjalët e Shpenguesit për dishepujt e Tij, “Unë jam në ta.” Njohshim kuptimin e tyre ndërsa Pali i përkthen dhe i zbaton, “Krishti në ju, shpresë lavdie”! Në çastin që Krishti hyn në zemrat tona me anë të besimit, nuk jemi më të panjohur e të huaj, por bashkëqytetarë bashkë me shenjtorët dhe pjesë e familjes së besimit, sepse Zoti na birëson dhe na numëron mes fëmijëve të Tij. Është një vepër e shkëlqyer e hirit Hyjnor që Ai na pranon, ne që ishim trashëgimtarë të zemërimit dhe na bën trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezus Krishtin. Këtë nder e kanë të gjithë shenjtorët, të gjithë ata që besojnë në emrin e Krishtit. Më pas, kur Krishti është brenda nesh, ne kërkojmë për mundësi për të sjellë në shtëpinë e Atit të madh plëngprishësit, të huajt dhe të braktisurit. Dashuria jonë shkon për gjithë njerëzimin dhe dora jonë nuk mbyllet për asnjë; nëse ndodh kështu me ne atëherë jemi bërë të ngjashëm me Perëndinë, ashtu si fëmijët e vegjël ngjasojnë me atin e tyre. Oh, çfarë rezultatesh të ëmbla që ka marrëdhënia e gjallë me Birin e Perëndisë me anë të besimit! Ai banon brenda nesh dhe ne e vështrojmë me ngulm në shoqërim të shenjtë, kështu që “ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit” (2 Korintasve 3:18). “Dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë” (1 Gjoni 4:7). Ndjefshim ditë për ditë fuqinë e Jezusit brenda zemrave tona duke transformuar gjithë karakterin tonë dhe duke na bërë gjithnjë e më shumë në mënyrë të dukshme fëmijët e Perëndisë! Kur Zoti ynë do të pyesë për ne, “si ishin ata?” edhe madje vetë armiqtë e Tij e pranofshin hapur duke u përgjigjur, “Ashtu siç Ti je, ashtu ishin ata, secili i ngjasonte fëmijëve të një Mbreti.” Atëherë Jezusi do të admirohet në mes të atyre që kanë besuar, sepse njerëzit do të shohin te gjithë fëmijët e familjes së Tij të madhe veprën e hirshme dhe të lavdishme të të Panjohurit Hyjnor.
Dy shfaqjet e Krishtit
Dy lidhjet e mëdha mes tokës dhe Qiellit janë dy ardhjet e Zotit tonë ose më saktësisht Ai Vetë, përmes dy shfaqjeve të Tij, është hallka e madhe e bashkimit mes tokës dhe Qiellit. Kur bota pati ngritur krye kundër Krijuesit të saj dhe Krijuesi qe shpërfillur nga krijesat e Tij, një humnerë e madhe u hap midis Perëndisë dhe njeriut. Ardhja e parë e Krishtit ishte si një urë mbi ndarjen e madhe dhe hapi një shteg lidhës nga Perëndia për te njeriu dhe më pas nga njeriu për te Perëndia. Ardhja e dytë e Zotit tonë do ta zgjerojë atë urë akoma më shumë, derisa Qielli të zbresë në tokë dhe në fund fare toka të shkojë lart në Qiell.
Këtu gjithashtu është vendi për ne ku mund të ndërtojmë një urë përmes së cilës nëpërmjet besimit, ne vetë të mund të kalojmë nga kjo anë në anën tjetër të lumit të rrëmbyer të kohës. Kryqi te këmbët e të cilit qëndrojmë është kolona masive që mbështet strukturën e kësaj ane dhe ndërsa shikojmë përpara dhe presim për lavdinë e ardhshme, ardhja e dytë e Krishtit është mbështetja solide në anën tjetër të humnerës së thellë të kohës. Me anë të besimit në fillim shohim te Jezusi dhe pastaj kërkojmë dhe presim për Jezusin dhe në këtë gjë është jeta e shpirtrave tanë. Krishti mbi kryqin e turpit dhe Krishti në fronin e lavdisë: këto janë Dani dhe Beer-sheba jonë dhe gjithçka mes tyre është tokë e shenjtë. Për sa i përket ardhjes së parë të Zotit tonë, aty gjendet prehja jonë, flijimi i ofruar një herë e mirë që hoqi mëkatin tonë dhe siguroi paqen tonë me Perëndinë. Për sa i përket ardhjes së dytë, aty qëndron shpresa jonë dhe gëzimi ynë, sepse “dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai” (1 Gjoni 3:2). Lavditë e priftërisë së Tij mbretërore do të përsëriten te të gjithë shenjtorët, sepse Ai “na bëri mbretër dhe priftërinj për Perëndinë tonë” dhe ne do të mbretërojmë me Të përgjithmonë.
Në ardhjen e Tij të parë, ne e adhurojmë me mirënjohje, duke u gëzuar se Ai është “Perëndia me ne,” duke u bërë për ne i Afërmi më i ngushtë. Ne mblidhemi me guxim mirënjohës përreth Fëmijës në grazhd dhe vështrojmë Perëndinë tonë. Por, ndërsa i paraprijmë ardhjes së Tij të dytë, qëndrojmë të mbërthyer nga një nderim solemn, nga një frikë e madhe adhuruese. Nuk jemi më pak mirënjohës, por jemi më tepër të nënshtruar teksa përkulemi para madhështisë së Krishtit triumfues. Jezusi në lavdinë e Tij është një vegim dërrmues për shikimin e një njeriu të vdekshëm. Gjoni, dishepulli i dashur, shkruan, “dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të Tij si i vdekur.” Ne mund të kishim puthur këmbët e Tij të bekuara derisa të largohej prej nesh mbi Malin e ullinjve, por, kur ta shohim Zotin duke u kthyer, kur Qielli dhe toka do t’ia mbathin, do të përkulemi para Tij me adhurim plot përulësi. Shfaqja e Tij e parë na ka dhënë jetë të përjetshme dhe atë siguri të shenjtë me të cilën presim me padurim shfaqjen e Tij të lavdishme, që do të jetë kurorëzimi i gjithë veprës së Tij ndërmjetësuese.
Ka shumë dallime mes shfaqjes së parë dhe të dytë të Zotit tonë, por kontrasti i madh është se kur Ai do të vijë sërish, do të vijë “pa flijim për mëkatin për ata që e presin për shpëtim.” Synimi dhe qëllimi i shfaqjes së Tij të parë ishte “për të hequr mëkatin.” Llafazanët bashkëkohorë thonë se Ai u shfaq për të na zbuluar mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Kjo është e vërtetë, por është veçse një copëz e vogël e gjithë të vërtetës. Fakti më i rëndësishëm dhe mbizotërues është se Ai zbuloi dashurinë e Perëndisë duke siguruar të vetmin flijim që mund të hiqte mëkatin. Më pas, ata thonë se Ai u shfaq për të treguar njeriun e përkryer dhe që ne të shikonim se si duhet të jetë natyra jonë. Edhe këtu ka një të vërtetë, por është veç një pjesë e synimit të shenjtë të ardhjes së Krishtit në tokë. Ai u shfaq, thonë ata, për të nxjerrë në pah vetë sakrificën dhe për të vendosur para nesh një shembull, një shembull dashurie për të tjerët; me anë të vetë mohimit të Tij, Ai shtypi pasionet egoiste të njeriut. Ne nuk mohojmë asgjë nga këto dhe megjithatë jemi të indinjuar me mënyrën se si më e vogla bëhet të fshehë më të madhen. Të vendosësh qëllimet dytësore të ardhjes së parë të Zotit tonë në vendin e qëllimit të madh të ardhjes së Tij, do të thotë ta kthesh të vërtetën e Perëndisë në një gënjeshtër. Është e lehtë ta shtrembërosh të vërtetën, duke zmadhuar rëndësinë e një pjese të saj dhe duke zvogëluar rëndësinë e një pjese tjetër ashtu si edhe vizatimi i një fytyre tejet të hijshme mund të bëhet shpejt një karikaturë se sa një portret nëse neglizhohet rregulla e proporcionit. Duhet të respektosh rregullën e proporcionit nëse do që t’i shikosh gjërat ashtu si duhet dhe për sa i përket shfaqjes së parë të Zotit tonë, qëllimi i Tij kryesor ishte “të hiqte mëkatin me anë të flijimit të Vetvetes.”
Qëllimi kryesor i ardhjes së Zotit tonë nuk ishte të jetonte, por të vdiste. Ai u shfaq, jo dhe aq për të nënshtruar mëkatin me anë të mësimit të Tij apo të shfaqte mirësi apo të tregonte një shembull të përkryer për t’u ndjekur, por “për të hequr mëkatin me anë të flijimit të Vetvetes.” Atë që mësuesit bashkëkohorë të gabimit do të donin ta flaknin mbrapa në sfond, Zoti ynë e vendosi në ballë. Ai erdhi për të hequr mëkatet tona, ashtu si edhe cjapi, duke qenë një tip, mbarte mbi vete në shkretëtirë padrejtësitë e Izraelit, në mënyrë që njerëzit të jenë të pastër para Perëndisë së gjallë. Le të mos mendojmë për Jezusin pa kujtuar qëllimin e ardhjes së Tij. Ju përgjërohem që të mos e njihni Krishtin pa kryqin e Tij, ashtu si disa pretendojnë se e njohin.
Ne predikojmë Krishtin, këtë bëjnë dhe shumë të tjerë, por “ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar,” këtë, nuk e bëjnë për fat të keq akoma më shumë të tjerë. Ne predikojmë në lidhje me Zotin tonë, kryqin e Tij, gjakun e Tij, vdekjen e Tij dhe ne e theksojmë me të madhe gjakun e kryqit të Tij, duke lartësuar shumë “gjakun e çmuar të Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.” “Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët,” duke hequr mëkatin e tyre “me anë të flijimit të Vetvetes.” Ne nuk do të mohojmë apo të fshehim apo të zhvlerësojmë krye qëllimin e Tij, përndryshe do të gjendeshim fajtorë për shkeljen me këmbë të gjakut të Tij duke e trajtuar si diçka jo e shenjtë.
Heqja e mëkatit ishte një qëllim hyjnor dhe është burim shprese për ne ngaqë për këtë arsye Jezusi u shfaq mes njerëzve. Nëse ndonjë nga ju është duke ushqyer një të ashtuquajtur “shpresë më të madhe”, kam për t’ju thënë, -Shpresoni çfarë të doni, por mbani mend se shpresa pa të vërtetën në themelin e saj, është një spirancë që nuk ka zënë mirë në tokë. Një shpresë e pathemeltë është thjesht një iluzion. Dëshironi çfarë të doni, por dëshirat pa mbështetje te premtimet e Perëndisë, janë imagjinatë e kotë. Pse imagjinoni apo dëshironi për një tjetër mënyrë shpëtimi? Jini të sigurt se Zoti mendon kaq lart për flijimin e Birit të Tij një herë e mirë për mëkatin, sa është një e ligë e madhe para syve të Tij të dëshirosh një tjetër.
Nëse refuzon të vetmin flijim të Birit të Perëndisë, nuk mbetet asnjë shpresë për ty dhe as nuk ka se si të mbetet. Plani i Zotit tonë për të hequr mëkatin, është kaq i drejtë për Perëndinë, kaq nderues për ligjin dhe kaq i sigurt për ty sa nëse e refuzon, gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde. Duke u paraqitur si flijim një herë e mirë para Perëndisë, Zoti ynë ka bërë atë që nuk do të prodhonin dot as miriada vitesh pendimi dhe vuajtjesh. Bekuar qoftë Emri i Zotit; mëkati i botës, që e bënte Perëndinë të mos i afrohej njerëzve, u hoq me anë të vdekjes së Zotit tonë! Gjon Pagëzori tha, “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” Perëndia iu afrua Botës së mëkatarëve me anë të hirit, sepse Jezusi vdiq.
E falënderoj akoma më shumë Zotin tonë, sepse mëkatet ekzistuese të të zgjedhurve të Tij, të të gjithë atyre që besojnë te Ai në çdo kohë, janë hequr. Këto mëkate u vendosën te Jezusi dhe në Të Perëndia vizitoi njeriun për shkak të mëkateve të tyre. “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e Tij mbi drurin e kryqit” dhe në këtë mënyrë i hoqi përgjithmonë. Heqja e fajit tim si një besimtar u përmbush realisht, efektshmërisht dhe përjetësisht me anë të vdekjes së Zëvendësuesit tim të madh mbi drurin e kryqit të gjakosur. Ky është themeli i ngushëllimit tonë të përjetshëm dhe shpresës sonë të mirë nëpërmjet hirit. Jezusi e kreu, e kreu vetëm dhe e kreu plotësisht; Ai jo vetëm që u duk se e kreu, por Ai e përmbushi në të vërtetë heqjen e mëkatit. Ai zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve që ishte kundër nesh. Ai i dha fund shkeljes dhe mëkatit dhe solli drejtësi të përjetshme, atëherë kur një herë e mirë për të gjithë, Ai vdiq në kryq.
Besoj se nuk është e nevojshme që të zgjatem më shumë duke ju paralajmëruar se është e kotë të presësh që Perëndia do ta heqë mëkatin në një mënyrë ndryshe nga çfarë Ai ka siguruar me një çmim aq të madh. Nëse mëkati mund të ishte hequr në një mënyrë tjetër nga vdekja e Birit të Tij të shtrenjtë, Jezusi nuk do të kishte vdekur. Nëse do të kishte pasur, sipas çfarë do lloj supozimi të mundshëm, ndonjë metodë falje përveçse me anë të flijimit të Vetvetes, me siguri që Jezusi kurrë nuk do ta kishte përkulur kokën deri në vdekje. Ati i madh, kurrë nuk do ta kishte zbatuar dënimin me vdekje për të Përkryerin, nëse do të kishte qenë e mundur që kupa të largohej nga Ai. Ai kurrë nuk do t’i kishte shkaktuar Birit të Tij të shumëdashur një dhembje të kotë. Vdekja e Tij ishte e nevojshme, por, bekuar qoftë Perëndia, mbasi ndodhi, e hoqi një herë e mirë mëkatin dhe prandaj nuk do të ndodhë më kurrë.
Prapëseprapë Krishti Jezus do të shfaqet një herë të dytë, por jo një herë të dytë për të njëjtin qëllim për të cilin Ai erdhi më parë.
Ai do të shfaqet. Shfaqja do të jetë më se e dukshme. Ai jo vetëm që do të shfaqet dukshëm në ndonjë vend të qetë ku dy a tre veta janë mbledhur, në emër të Tij, por Ai do të shfaqet ashtu si vetëtima shihet në qiell. Kur u shfaq për herë të parë, Ai u pa me të vërtetë; kudo që shkoi Ai mund të shihej, të vështrohej, të prekej dhe mund të ndërveproje me Të. Ai shpejt do të shfaqet po aq qartë mes bijve të njerëzve. Atëherë Ai do të shihet akoma më gjerë se sa me shfaqjen e Tij të parë, sepse Gjoni thotë, “çdo sy do ta shohë.” Jo çdo sy e pa kur Ai erdhi herën e parë, por kur Ai do të vijë herën e dytë, të gjitha kombet e botës do ta shohin. Ata që kanë vdekur, do të ringjallen për ta parë, si shenjtorët ashtu edhe mëkatarët dhe ata të mbetur gjallë mbi tokë kur Ai do të vijë, do të rrëmbehen nga kjo shfaqje më madhështore se çdo gjë tjetër. Atëherë fjalët e Balaamit do të përmbushen, “E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër.” Edhe pse i paperëndishmi do të klithë me vajtim, “na fshihni nga fytyra e Atij që rri mbi fron,” më kot vajtojnë, sepse duhet të paraqiten të gjithë para fronit të Tij të gjykimit.
Shfaqja e Tij e dytë do të jetë pa mëkat. Kjo do të thotë se Ai nuk do të sjellë me Vete asnjë flijim për mëkatin, sepse, pasi e kushtoi Vetveten një herë e mirë për mëkatin, nuk ka nevojë për tjetër flijim. Kur Zoti ynë do të vijë në lavdinë e Tij, populli i Tij nuk do të ketë asnjë mëkat. Ai do ta nxjerrë nusen e Tij përpara Vetes një Kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë. Dita e shfaqjes së Tij do të jetë dalja në dritë e një trupi të përkryer dhe të një Kreu të përkryer. “Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli” ndërsa pamja e Zotit të tyre është “si dielli që ndrit me forcën e Tij.” Ashtu si Ai do të jetë “pa mëkat,” po ashtu edhe ata do të jenë “pa mëkat.” Oh, çfarë shfaqje e lavdishme që kjo do të jetë: shfaqje e vërtetë, prapëseprapë kryekëput ndryshe nga e para!
Nëse jemi me të vërtetë duke pritur për ardhjen e Zotit tonë, atëherë do të tregojmë kujdes që të kemi gjithçka gati për shfaqjen e Tij. Ndonjëherë shoh të hapur portën e madhe të domeneve jashtë qytetit dhe kjo zakonisht do të thotë se i zoti i domenit është duke ardhur. Mbani gjithmonë hapur portën e madhe të shpirtit tuaj, gati për kthimin e Zotit tuaj. Më kot flasim se jemi duke kërkuar ardhjen e Tij nëse nuk e kemi vënë në rregull shtëpinë tonë dhe asnjëherë nuk jemi përgatitur për pritjen e Tij. Duke kërkuar për Të, do të thotë se kemi një qëndrim në pritje, ashtu si një shërbëtor e di se i zoti i tij shpejt do të kthehet në shtëpi.
Mos thuaj, “Zoti do të vonojë dhe prandaj do të bëj planet e mia për njëzet apo tridhjetë vitet e ardhshme pa e pasur parasysh Zotin.” Ti mund të mos jesh këtu në njëzet a tridhjetë minutat e ardhshme ose nëse je akoma këtu, Zoti yt mund të ketë ardhur ndërkohë. Ai është nisur tashmë; Ai filloi shumë kohë më parë dhe dërgoi para Tij një korrier duke thirrur, “Po, unë vij shpejt.” Ai ka qenë duke ardhur shpejt mbi malet e ndarjet prej qëmoti dhe Ai duhet që të vijë këtu shpejt. Nëse jeni duke kërkuar me të vërtetë për shfaqjen e Tij, do të gjendeni me qëndrimin e dikujt që pret dhe rri vigjilent, në mënyrë që kur Zoti të vijë, ta takojë me gëzim. A jeni duke e pritur Atë në këtë mënyrë?
Kam frikë se do të shprehja veç të vërtetën nëse do të thosha se shumë pak të krishterë, janë duke pritur, në kuptimin më të lartë, për shfaqjen e Zotit dhe Shpëtimtarit të tyre. Sa për vigjilencën, kjo është diçka akoma më e rrallë se sa pritja. Fakti është se, edhe lloji më i mirë i besimtarëve, që presin për ardhjen e Tij, ashtu siç bënë të dhjeta virgjëreshat, nuk janë duke qëndruar vigjilent gjithsesi, përderisa i zuri gjumi. Kjo është për të ardhur keq vërtet. Nuk mund të thuhet për dikë në gjumë se është duke pritur; sidoqoftë është “për ata që e presin për shpëtim” që Zoti “do të duket për së dyti pa mëkat.” Ne duhet të jemi plotësisht zgjuar ndërsa presim; duhet të shkojmë lart te kulla e rojës çdo mëngjes dhe të shohim drejt lindjes së diellit nëse Krishti është duke ardhur apo jo dhe veprimi ynë i fundit natën duhet të jetë kërkimi i yllit të Tij duke pyetur, “A po vjen Ai?” Duhet të ketë një zhgënjim të përditshëm sa herë që Zoti nuk vjen në vend që të dalim në konkluzionin e nxituar se Ai po vonon.
Shumë të ashtuquajtur të krishterë duket se harrojnë gjithçka në lidhje me ardhjen e dytë të Krishtit. Të tjerë falin një buzëqeshje ndërsa ne flasim për këtë gjë, njësoj sikur të ishte një subjekt që i përket veç fanatikëve dhe ëndërrimtarëve. Por ju të dashur, kam besim se nuk jeni i këtij lloji. Ashtu siç besoni me të vërtetë në ardhjen e Tij të parë dhe në flijimin e madh një herë e mirë, po ashtu besoni me të vërtetë në ardhjen e dytë pa flijim për mëkatin deri në kulmim të shpëtimit tuaj. Duke qëndruar mes kryqit të Krishtit dhe kurorës së Tij, mes resë që e mori larg nga shikimi ynë dhe reve mbi të cilat do të vijë me dhjetëra mijë nga shenjtorët e Tij për të gjykuar të gjallin dhe të vdekurin, le të jetojmë si njerëz që nuk i përkasin kësaj bote, si të huaj në këtë epokë që qëndron errët mes dy shfaqjesh të shndritshme, si qenie të lumtur të shpëtuar nga një mister i përmbushur dhe shpejt për t’u përlëvduar nga një tjetër mister që po shpejton në përmbushjen e vet. Ashtu si ajo grua e përmendur te Zbulesa, le të kemi hënën nën këmbët tona dhe të ruajmë të gjitha gjërat e tjera në vendin e tyre të duhur. Madje pikërisht edhe tani, u bëfshim që të ulemi në vendet qiellore me Krishtin, në mënyrë që kur Ai të shfaqet, të mund të shfaqemi bashkë me Të në lavdi! Amen.
Copyright ©
Kisha e Hirit, Tiranë, kishaehirit.org
& spurgeonshqip.org
[1] Shënim i përkthyesit: apostazi apo largim përfundimtar nga besimi dhe rruga e Perëndisë.
[2] Shënim i përkthyesit: Në anglisht, gërmat e emrit Mary mund të formojnë edhe fjalën Army e përkthyer “Ushtri” në shqip.