1 gusht-mëngjes
“Lërmë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj.”
{Ruthi 2:2}
I krishterë i dekurajuar dhe i trazuar, eja dhe mblidh kallinj sot në fushën e madhe të premtimit. Këtu ka bollëk premtimesh të çmuara që i përgjigjen saktësisht nevojave të tua. Merre këtë “Ai nuk do ta thërrmojë kallamin e thyer, as do të shuajë kandilin që bën tym”. A nuk i përshtatet kjo rastit tënd? Një kallam, i pafuqishëm, i parëndësishëm dhe i dobët, një kallam i thyer, prapëseprapë, Ai nuk do të të thërrmojë, por në të kundërt; do të të rivendosë dhe do të të forcojë. Ti je si kandili tymues: pa dritë, nuk vjen ngrohtësi prej teje, por Ai nuk do të të shuajë; Ai do të fryjë me Frymën e Tij të ëmbël mëshiruese derisa ti të bëhesh një flakë. A do të mbledhësh një kalli tjetër? “Ejani tek Unë ju të gjithë që jeni të lodhur dhe të ngarkuar dhe t’ju jap çlodhje.” Sa fjalë të buta!
Zemra jote është e ndjeshme dhe Mjeshtri e di këtë dhe prandaj Ai të flet kaq me mirësi. A nuk do t’i bindesh dhe të vish tek Ai madje edhe tani? Merr një tjetër kalli: “Mos druaj, o Jakob, do të të ndihmoj, thotë Zoti dhe Shpëtimtari jot, i Shenjti i Izraelit.” Si mund të druash me këtë siguri të tillë të mrekullueshme si kjo? Ti mund të mbledhësh dhjetë mijë kallinj të artë si këto! “I kam fshirë mëkatet tuaj si një re, dhe si një re e dendur shkeljet e tuaja.” Ose kjo, “edhe sikur mëkatet e tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur do të bëhen si leshi.” Ose kjo, “Fryma dhe Nusja thonë,” eja!” dhe ai që dëgjon le të thotë eja. Dhe ai që ka etje, le të vije dhe ai që do; le të marrë si dhuratë ujin e jetës”. Ara e Mjeshtrit tonë është shumë e pasur; shiko duart që janë plot. Shiko, atje janë përpara teje, besimtar i varfër e i ndrojtur! Mblidhi; bëji të tuajat, sepse Jezusi të urdhëron t’i marrësh. Mos ki frikë, vetëm beso! Mbërthe këto premtime të ëmbla, shoshiti me përsiatje dhe ushqehu me to me gëzim.
1 gusht-mbrëmje
“Ti e kurorëzon vitin me bujarinë tënde të madhe.”
{Psalmi 65 :11}
Gjatë gjithë vitit, çdo orë të çdo dite, Perëndia po na bekon me bollëk; kur flemë dhe kur zgjohemi mëshira e Tij na pret. Dielli mund të na lërë një trashëgimi errësire, por Perëndia ynë nuk pushon kurrë të ndriçojë mbi fëmijët e Tij me rreze dashurie. Ashtu si një lumë, dashamirësia e Tij është gjithmonë duke rrjedhur, me një plotësi të pashtershme ashtu si vet natyra e Tij. Ashtu si atmosfera që vazhdimisht rrethon tokën dhe është gjithmonë gati të mbajë në jetë njeriun, mirëdashja e Perëndisë rrethon të gjitha krijesat e Tij; në Të ashtu si peshku në ujë, ata jetojnë, lëvizin dhe kanë qenien e tyre. Ashtu si dielli në ditët e verës na gëzon me rreze më të ngrohta dhe të shkëlqyeshme se sa në stinë të tjera, ashtu si lumenjtë janë në disa stinë të fryrë nga shiu dhe ashtu si vetë atmosfera është ndonjëherë e mbushur më me shumë freski, më shumë e shëndetshme, ose më me shumë ndikime të balsamta se më përpara, po ashtu është me mëshirën e Perëndisë; ajo ka orët e saj të arta; ditët e saj të tepricës, kur Zoti madhëron hirin e Tij përpara bijve të njerëzve.
Midis bekimeve të stinëve të verës këtu poshtë, ditët e gëzueshme të korrjes janë një stinë e veçantë favori të madh. Është lavdia e vjeshtës që dhuratat e pjekura të Providencës jepen me bollëk; është stina e ëmbël e përmbushjes, meqë më përpara gjithçka ishte shprese dhe pritje. I madh është gëzimi i korrjes. Të gëzuar janë korrësit që mbushin krahët me bujarinë e qiellit. Psalmisti na thotë se korrja është kurorëzimi i vitit. Me siguri këto mëshira supreme na bëjnë thirrje për falënderime supreme! Le ta kryejmë atë me emocionet e brendshme të mirënjohjes. Le të jenë të ngrohta zemrat tona; frymët tona le të kujtojnë, mendojnë, përsiatin mbi mirësinë e Zotit. Pastaj le ta lavdërojmë Atë me buzët tona dhe të lavdërojmë dhe madhërojmë emrin e Tij nga zemërgjerësia e të cilit rrjedh gjithë kjo mirësi. Le të lavdërojmë Perëndinë duke ia kushtuar dhuntitë tona kauzës së Tij. Një provë praktike e mirënjohjes sonë është një sakrificë falënderimi e veçantë për Zotin e të korrurave.
2 gusht-mëngjes
“Që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të Tij.”
{Efesianëve 1 :11}
Besimi ynë në urtësinë e Perëndisë supozon dhe shikon si të nevojshme se Ai ka një qëllim dhe një plan të pandryshueshëm në veprën e shpëtimit. Çfarë do të kishte qenë krijimi pa skicën e tij ?A ka ndonjë peshk në det, ose një shpend në ajër, që ju la rastësisë për formimin e tij?Jo, në çdo kockë, kyç, muskul, dell, gjëndër dhe enë gjaku, vërehet praninë e Perëndisë që vepron gjithçka sipas qëllimit të urtësisë së pafund. Duke qenë se Perëndia është i pranishëm në krijimin, duke sunduar mbi gjithçka, a nuk është i pranishëm në hir? A do të udhëhiqej vallë krijesa e re nga shpirti i lëkundshëm i vullnetit të lirë ndërsa këshilla hyjnore qeveris krijesën e vjetër? Shiko tek Providenca! Kush nuk e di se asnjë harabel nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj? Edhe flokët e kokës tuaj janë të gjitha të numëruara.
Perëndia vë në peshore malet e dhimbjes sonë dhe kodrat e mundimeve tonë dhe a do të kishte një Perëndi në Providencë dhe jo në hir?A do të ishte guaska e dekretuar nga urtësia ndërsa bërthama t’i lihej rastësisë së verbër? Jo; Ai e di fundin që prej fillimit. Ai shikon në vendin e Tij të caktuar, jo vetëm thjesht gurin e qoshes që Ai ka vendosur plot hijeshi, me gjakun e Birit të Tij të shtrenjtë, por Ai shikon në vendin e tyre të përcaktuar secilin prej gurëve të zgjedhur të nxjerrë prej gurores së natyrës dhe të pastruar nga hiri i Tij; Ai shikon të gjithë nga cepi në kornizë, nga baza në çati, nga themeli në majë. Ai ka në mendjen e Tij një njohje të qartë të çdo guri që do të vendoset në hapësirën e përgatitur dhe sa e gjerë ndërtesa do të jetë, se kur gur kyçi do të vendoset me thirrjet “Atij Hiri !Hiri !”. Në fund do të shihet qartë se në çdo enë mëshire, Jehovai beri ashtu si deshi me të vetët ;dhe se në çdo pjese të veprës se hirit Ai përmbushi qëllimin e Tij dhe lavdëroi emrin e Tij.
2 gusht-mbrëmje
“Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje.”
{Ruthi 2 :17}
Le të mësoj prej Ruthit, kallimbledhësja. Ashtu si ajo shkonte jashtë për të mbledhur kallinjtë e misrit, po ashtu unë duhet të shkoj përpara në arat e lutjes, përsiatjes, urdhërimeve dhe dëgjimit të fjalës për të mbledhur ushqim shpirtëror. Kallimbledhësja mbledh pjesën e saj kalli kalli; fitimet e saj janë pak nga pak :po kështu unë duhet të jem i kënaqur të kërkoj të vërteta një nga një nëse nuk ka me bollëk të madh. Çdo kalli ndihmon për të bërë një grumbull dhe çdo mësim ungjilli na ndihmon për të na bërë të urtë për shpëtim. Kallimbledhësja i mban sytë hapur; nëse ajo do të pengohej midis kashtës duke ëndërruar, nuk do të kishte ngarkesë në mbrëmje për ta shpjerë në shtëpi me gëzim. Duhet të jem syhapur në ushtrimet e besimit që të mos jenë të padobishme për mua; kam frikë se kam humbur tepër tashmë—oh që të mund t’i vlerësoj ashtu siç duhet rastet e mia dhe të mbledh kallinj me më tepër zell. Kallimbledhësja përkulet për gjithçka që ajo gjen dhe po ashtu unë. Frymët krenare kritikojnë dhe kundërshtojnë, por mendjet e përulura mbledhin kallinj dhe marrin përfitim.
Një zemër e përulur është një ndihmë e madhe për dëgjimin e ungjillit në mënyrë të dobishme. Fjala e shpëtimit e shpirtit të shartuar nuk merret veçse me butësi. Një kurriz i fortë e bën kallimbledhësen të mbledhë keq; larg ti, zoti Krenar, ti je një hajdut i poshtër, që nuk durohesh dot as dhe për një çast të vetëm. Atë që kallimbledhësja mbledh e mban; nëse ajo do të lëshonte një kalli për të gjetur një tjetër, rezultati i ditës së saj të punës do të ishte veç i pakët; ajo është po aq e kujdesshme për të ruajtur sa dhe për të përfituar dhe kështu që në fund fitimet e saj janë të mëdha. Sa shpesh harroj të gjithë atë që dëgjoj; e vërteta e dytë e shtyn të parën jashtë kokës sime dhe kështu leximi im dhe dëgjimi im përfundojnë në shumë zhurmë për asgjë! A e ndjej të nevojshme rëndësinë e së grumbulluarit të vërtetën? Një bark i uritur e bën kallimbledhësen të urtë; nëse nuk ka misër në dorën e saj, nuk do të ketë bukë mbi tavolinën e saj; ajo punon nën ndjenjën e nevojshmërisë prandaj dhe hapi i saj është i zhdërvjellët dhe kapja e saj e fortë; Zot, unë kam një nevojshmëri akoma më të madhe; më ndihmo ta ndjej, që të më nxisë përpara për të mbledhur kallinj në ara që i japin zellit një përfitim me kaq bollëk.
3 gusht-mëngjes
“Llamba e tij është Qengji.”
{Zbulesa 21:23}
Sodite me qetësi Qengjin duke e parë si dritën e qiellit. Drita në Shkrimet është emblema e gëzimit. Gëzimi i shenjtorëve në qiell qëndron në faktin se, Jezusi na zgjodhi, na deshi, na bleu, na pastroi, na veshi, na ruajti, na lavdëroi; ne jemi këtu tërësisht me anë të Zotit Jezus. Secila nga këto mendime do të jetë për to si një vile rrushi Eshkoli. Drita është gjithashtu shkaku i bukurisë. Asgjë nuk mbetet nga bukuria kur drita ka shkuar tutje. Pa dritë asnjë rrezatim nuk vezullon prej safirit, asnjë rreze paqësore nuk del nga perla dhe po kështu e gjithë bukuria e shenjtorëve lart, vjen prej Jezusit. Porsi planetët, ata reflektojnë dritën e Diellit të Drejtësisë; ata jetojnë si rreze që dalin prej globit qendror. Nëse Ai tërhiqet, ata do vdisnin; nëse lavdia e Tij do të mbulohej, lavdia e tyre do të merrte fund.
Drita është gjithashtu emblema e njohurisë. Në qiell njohuria jonë do të jetë e përkryer, por vetë Zoti ynë Jezus do jetë burimi i saj. Providencat e errëta, që kurrë nuk janë kuptuar më parë, do të shihen atëherë qartë; dhe gjithë ajo që na huton tani do të jetë e qartë për ne nën dritën e Qengjit. Oh! çfarë zbulesash dhe çfarë lavdie të Perëndisë të dashurisë do të ketë! Drita do të thotë gjithashtu nxjerrje në pah. Drita nxjerr në pah. Në këtë botë nuk duket akoma se çfarë do të jemi. Njerëzit e Perëndisë janë një popull i fshehur, por kur Krishti do të pranojë njerëzit e Tij në qiell Ai do t’i prekë me shkopin e dashurisë së Tij dhe do t’i ndryshojë në imazhin e lavdisë së Tij të shfaqur. Ata ishin të varfër dhe të mjerë, por çfarë transformimi! Ata ishin të njollosur me mëkat, por një prekje e gishtit të Tij dhe ata janë të shkëlqyeshëm si dielli dhe të pastër si kristali. Oh! Çfarë shfaqje! E gjitha kjo del prej Qengjit të lartësuar. Çfarëdo që mund të jetë shkëlqim rrëzëllues, Jezusi do të jetë qendra dhe shpirti i saj. Oh! të jesh i pranishëm dhe të shikosh në vetë dritën e Tij, Mbretin e mbretërve dhe Zotin e zotëve!
3 gusht-mbrëmje
“Ndërsa Jezusi po shkonte atje.”
{Lluka 8:42}
Jezusi po kalon nëpërmjet turmës për te shtëpia e Jairit, për të ringjallur të bijën e vdekur të kryetarit të sinagogës, por Ai ka kaq mirësi me bollëk sa kryen një tjetër mrekulli përgjatë rrugës. Kur ende kjo shufër e Aronit mban sythin e një mrekullie të papërmbushur, ajo nxjerr frytet e pjekura të një vepre mëshire të përkryer. Është mjaftueshëm për ne nëse kemi një qëllim, të shkojmë drejt dhe ta përmbushim atë; do të ishte e pakujdesshme të shpenzonim energji gjatë rrugës. Duke nxituar për të ndihmuar një vëlla në rrezik mbytje, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të shterojmë forcën tonë për një tjetër në një rrezik të ngjashëm. Është mjaftueshëm për një pemë të japi vetëm një lloj fryti dhe për një njeri të përmbushi thirrjen e tij të veçantë. Mirëpo Mjeshtri ynë nuk njeh kufi fuqie ose misioni. Ai është kaq pjellor në hir; se po ashtu si dielli që shkëlqen tek përshkon orbitën e tij, shtegu i Tij është rrëzëllues me dashamirësi. Ai është një shigjetë dashurie e shpejtë, që jo vetëm arrin shënjestrën e caktuar, por parfumon ajrin ku fluturon.
Virtyti gjithmonë po del jashtë Tij, ashtu si parfumet e ëmbla lëshohen prej luleve, dhe do të dalë përherë prej Tij, po ashtu si uji nga një pus gufues. Çfarë nxitje të këndshme kjo e vërtetë na krijon! Nëse Zoti ynë është gati të shërojë të sëmurin dhe të bekojë atë që është në nevojë, atëherë, shpirti im, mos ji i ngadaltë të kalosh në shtegun e Tij, që Ai të mund të të buzëqeshë. Mos ji i amullt duke kërkuar, nëse Ai është kaq i bollshëm duke dhënë. Jepi vëmendje të zellshme fjalës së Tij tani dhe në të gjithë kohën, në mënyrë që Jezusi t’i flasë zemrës sate. Atje ku është për t’u gjetur, atje bëje vendin tënd, që të mund të përfitosh bekimin e Tij. Kur Ai është i pranishëm për të shëruar, a nuk mund të të shërojë dot? Me siguri Ai është i pranishëm edhe tani, sepse Ai gjithmonë vjen tek zemrat që kanë nevojë për Të. Dhe a nuk ke nevoje për Të? Ah, Ai e di se sa shumë! Ti Bir i Davidit, kthe sytë e Tu dhe shiko mbi pikëllimin që është tani para Teje dhe plotësoje lutjen e përgjëruesit tënd.
4 gusht-mëngjes
“Por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë.”
{Daniel 11 :32}
Çdo besimtar e kupton se të njohësh Perëndinë është forma më e lartë dhe më e mirë e njohurisë; dhe kjo njohuri shpirtërore është një burim force për të krishterin. I forcon besimin e tij. Besimtarët vazhdimisht përshkruhen në Shkrimet si njerëz që janë të ndriçuar dhe të mësuar prej Zotit; thuhet për ta se “kanë një vajosje nga i Shenjti;” dhe është detyra e veçantë e Frymës t’i udhëheqë në të gjithë të vërtetën dhe e gjithë kjo për rritjen dhe ushqimin e besimit. Njohuria forcon dashurinë, po ashtu si besimin. Njohuria hap derën dhe pastaj nëpërmjet asaj dere ne shikojmë Shpëtimtarin tonë, ose për të përdorur një shëmbëllim tjetër, njohuria pikturon portretin e Jezusit dhe kur e shikojmë atë portret atëherë ne e duam Atë; ne nuk mund të duam një Krisht që nuk e njohim të paktën në një farë shkalle.
Nëse njohim pak për shkëlqesitë e Jezusit, çfarë Ai ka bërë për ne dhe çfarë po bën tani, ne nuk mund ta duam dot me tepri, por aq më shumë që e njohim Atë, aq më shumë do ta duam. Njohuria gjithashtu forcon shpresën. Si mund të shpresojmë për një gjë nëse nuk dimë a ekziston apo jo? Shpresa mund të jetë teleskopi, por derisa nuk kemi marrë njohurinë, padija jonë qëndron përpara lentës dhe ne nuk mund të shohim asgjë; njohuria heq objektin pengues dhe kur shikojmë nëpërmjet lentës optike të ndritshme, dallojmë lavdinë që ka për t’u shfaqur dhe e paraprijmë atë me një mirëbesim të gëzueshëm. Njohuria na jep arsye për durim. Si do të kemi durim nëse nuk dimë diçka prej dashamirësisë së Krishtit dhe të kuptojmë të mirën që ka për të dalë prej ndreqjes që Ati ynë qiellor na dërgon? Po ashtu nuk ka asnjë hir të vetëm te një i krishterë që, nën Perëndinë, nuk do të ushqehet dhe nuk do të sillet në përkryerje me anë të njohurisë së shenjtë. Sa e rëndësishme është atëherë që ne duhet të rritemi jo vetëm në hir, por në “njohurinë” e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht.
4 gusht-mbrëmje
“Unë ju godita me plasjen, me ndryshkun dhe me breshër në çdo punë të duarve tuaja.”
{Hagai 2 :17}
Sa shkatërrimtar është breshëri për të korrurat, duke hedhur përtokë frytin e çmuar. Sa mirënjohës duhet të jemi kur kallinjtë kursehen nga një rrënim i tillë i tmerrshëm! Le t’i ofrojmë Zotit falënderime. Akoma më shumë për t’u pasur frikë janë ato shkatërrimtare misterioze—vrugu, urthi dhe myku. Këto e kthejnë kalliun në një masë myku, ose e bëjnë të korruptuar, ose thajnë farën dhe e gjitha kjo në mënyrë kaq përtej kontrollit njerëzor sa bujku është i detyruar të thërrasë, “Ky është gishti i Perëndisë.” Myk i panumërt shkakton të keqen dhe nëse nuk do të ishte mirësia e Perëndisë, kalorësi mbi kalin e zi do të shpërndante shpejt zi buke në tokë. Mëshira e pafund i kursen ushqimin njeriut, por duke pasur parasysh agjentët aktive që janë gati të shkatërrojnë të korrurën, me urtësi ne mësohemi të lutemi, “na jep bukën tonë të përditshme.” Mallkimi është jashtë; ne kemi nevojë të vazhdueshme për bekimin. Kur urthi dhe byku vijnë ato janë ndëshkime nga qielli dhe njerëzit duhet të mësojnë të durojnë fshikullin dhe atë që e ka caktuar.
Shpirtërisht, byku nuk është një e keqe e pazakontë. Kur puna jonë është tepër premtuese atëherë shfaqet kjo e keqe. Ne shpresuam për shumë kthime në besim dhe ja një amulli e përgjithshme, një mondanitet i bollshëm, ose një ngurtësi zemre mizore! Mund të mos ketë mëkat të dukshëm te ata për të cilët po lodhemi duke punuar, por ka një mangësi sinqeriteti dhe vendimmarrje që zhgënjen trishtueshëm dëshirat tona. Ne mësojmë nga kjo gjë varësinë tonë prej Zotit dhe nevojën e lutjes që myku të mos bjerë mbi punën tonë. Krenaria shpirtërore ose përtacia do të sjellë shpejt mbi ne të ligën e lemerishme dhe vetëm Zoti i të korrurave mund ta heqë atë. Byku mund të sulmojë madje dhe zemrat tona dhe të rrëgjojë lutjet dhe ushtrimet tona të besimit. I pëlqeftë Bujkut të madh të na largojë një fatkeqësi kaq serioze. Shkëlqe, o Diell Drejtësie i bekuar dhe dëbo mykun.
5 gusht-mëngjes
“Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.”
{Romakëve 8:28}
Në lidhje me disa pika besimtari është tërësisht i sigurtë. Ai e di, për shembull, se Perëndia ulet në kiçin e anijes atëherë kur ajo tundet më shumë. Ai beson se një dorë e padukshme është gjithmonë në levën e timonit të botës dhe se Jehovai e manovron atë kudo që Providenca të drejtojë. Ajo njohuri qetësuese e përgatit atë për gjithçka. Ai vështron mbi ujërat e zemëruara dhe shikon Jezusin duke ecur mbi dallgët dhe dëgjon një zë që thotë, “Jam unë, mos ki frikë.” Ai e di gjithashtu se Perëndia është përherë i urtë dhe duke ditur këtë, ai është besimplotë se nuk mund të ketë as aksidente dhe as gabime; se asgjë nuk mund të ndodhë që nuk duhet të ndodhë.
Ai mund të thotë, “nëse më duhet të humb gjithçka kam, është më mirë që të humb se sa të kem, nëse kështu do Perëndia: fatkeqësia më e keqe është gjëja më e urtë dhe më e mirë që mund të më ndodhë nëse Perëndia e ka urdhëruar.” “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.” I krishteri nuk e mban këtë thjesht si një teori, por ai e njeh si një çështje fakti. Çdo gjë ka vepruar për të mirë deri tani; ilaçet e hidhura të përziera në përmasa të përshtatshme kanë vënë në veprim mjekimin; të prerat e mprehta të bisturisë kanë pastruar mishin krenar dhe kanë lehtësuar shërimin. Çdo ngjarje deri tani ka vënë në veprim rezultatet hyjnore më të bekuara; dhe kështu, duke besuar se Perëndia sundon gjithçka, se Ai sundon me urtësi, se Ai sjell të mirën nga e keqja, zemra e besimtarit qetësohet dhe ai aftësohet të përballojë qetësisht çdo sprovë ashtu si ajo vjen. Besimtari mund të lutet në frymën e nënshtrimit, “më dërgo çfarë Ti do Perëndia im, për sa kohë që vjen nga Ty; kurrë nuk erdhi nga tryeza Jote ndonjë racion i pashëndetshëm për cilindo prej fëmijëve të Tu.”
Mos thuaj shpirti im, “si Perëndia mund të lehtësojë hallin tim?”
Kujto se Plotfuqishmëria, ka shërbëtorë kudo.
Metoda e Tij është sublime, zemra e Tij thellësisht e butë,
Perëndia nuk vjen kurrë para kohe dhe kurrë me vonesë.
5 gusht-mbrëmje
“A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu?”
{Numrat 32 :6}
Familja ka detyrimet e saj. Do të kishte qenë jo vëllazërore nëse njerëzit e Rubenit dhe Gadit, do të kishin kërkuar tokën e fituar dhe të kishin lënë mbetjen e popullit të luftonin vetëm për pjesën e tyre. Ne kemi marrë shumë me anë të përpjekjeve dhe vuajtjeve të shenjtorëve në vitet e shkuara dhe nëse nuk i kthejmë diçka Kishës duke i dhënë energjitë më të mira, ne jemi të padenjë të rekrutohemi në radhët e saj. Të tjerët po luftojnë me burrëri gabimet e kohës, ose po nxjerrin nga rrënojat e rënies ata që po humbasin dhe nëse ne kryqëzojmë duart në përtaci do të kishim nevojë të paralajmërohemi, që mallkimi i Merozit të mos bjerë mbi ne.
Zoti i vreshtit tha, “Pse rrini këtu gjithë ditën pa bërë gjë?” Cili është justifikimi i përtacit? Shërbimi personal i Jezusit kthehet akoma më shumë në detyrën e të gjithëve sepse kryhet me gëzim e bollëk nga disa. Mundi i misionarëve të përkushtuar dhe të shërbenjësve të zjarrtë na bëjnë të na vijë turp nëse ulemi pa bërë gjë në plogështi. Shmangia e sprovës është tundimi i atyre që janë në rehati në Sion: ata me gëzim do të donin t’i shpëtonin kryqit dhe prapëseprapë të vënë kurorën; pyetja për këtë përsiatje mbrëmjeje është shumë e përshtatshme për ta. Nëse më të çmueshmit janë sprovuar me zjarr, a do t’i shpëtojmë ne furrnaltës? Nëse diamanti duhet prerë, do të bëheshim të përkryer vallë pa vuajtje? Pse duhet të trajtohemi ne më mirë se Zoti ynë? I parëlinduri e ndjeu fshikullin dhe pse jo vëllai i vogël? Është krenaria burracake ajo që do të zgjidhte një jastëk me push dhe një shtrat të mëndafshtë për një ushtar të kryqit. Shumë më i urtë është ai që, duke iu nënshtruar së pari vullnetit hyjnor, rritet me energjinë e hirit që është me të dhe kështu mëson të mbledhë zambakë në këmbën e kryqit dhe ashtu si Sansoni, mëson të gjejë mjaltë në luanin.
6 gusht-mëngjes
“Roje, në ç’pikë ka arritur nata?”
{Isaia 21 :11}
Çfarë armiqsh ka në çdo anë? Gabimet janë një hordhi e shumtë dhe hordhi të reja shfaqen çdo orë; kundër çfarë herezie duhet të ruhem? Mëkatet kacavirren prej vendeve të tyre të fshehta ndërsa errësira mbretëron; unë vetë duhet të ruhem, të rri zgjuar dhe të lutem. Mbrojtësi jonë qiellor parashikon të gjitha sulmet që janë gati të na bëhen dhe ndërsa satani synon të na bëjë keq, Ai lutet për ne që besimi ynë të mos dështojë, ndërsa jemi të shoshitur si mielli. Vazhdo o roje i hirshëm, të na paralajmërosh për armiqtë tanë dhe për hir të Sionit mos rri në heshtje.
“Roje, në ç’pikë ka arritur nata?” Çfarë moti po vjen për Kishën? A po ulen retë apo është gjithçka e qartë dhe e bukur mbi krye? Ne duhet të kujdesemi për Kishën e Perëndisë me një dashuri të ankthshme; dhe tani që Papizmi dhe mosbesimi që të dy po kërcënojnë, le të vëmë re shenjat e kohës dhe të përgatitemi për luftë.
“Roje, në ç’pikë ka ardhur nata?” Çfarë yjesh janë të dukshëm? Çfarë premtimesh të çmuara i përshtaten rastit tonë të tanishëm? Ti i bie alarmit, por na jep edhe ngushëllimin. Krishti, ylli polar, është përherë i fiksuar në vendin e tij dhe të gjithë yjet janë të sigurtë në krahun e djathtë të Zotit të tyre.
Por roje, kur vjen mëngjesi? Dhëndri vonon. A nuk ka atje shenja të ardhjes së tij si Dielli i Drejtësisë?A nuk është ngritur ylli i mëngjesit si premtimi i ditës? Kur do të zbardhë dita dhe hijet të fluturojnë tutje? O Jezus, nëse nuk vjen dora vetë këtë ditë te Kisha Jote pritëse, prapëseprapë eja në Frymë në zemrën time që psherëtin dhe bëje të këndojë nga gëzimi.
Tani e gjithë toka është e shkëlqyeshme dhe e gëzuar
Me mëngjesin e freskët;
Por e gjithë zemra ime është e ftohtë, e errët dhe e trishtuar:
Diell i shpirtit, më lër të shikoj agimin tënd!
Eja Jezus, Zot,
O eja shpejt sipas fjalës Tënde.
6 gusht-mbrëmje
“Dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e Tij. Amen, amen.”
{Psalmi 72 :19}
Ky është një peticion i madh. Duhet një besim shumë i madh për të ndërhyrë për një qytet të tërë dhe ka momente kur një lutje për një njeri të vetëm do të ishte e mjaftueshme të na lëkundte. Po sa largpamëse ishte ndërhyrja e psalmistit në prag të vdekjes! Sa e gjithëpërfshirëse! Sa sublime! “Dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e Tij.” Nuk përjashton as dhe një vend të vetëm sado i shtypur nga këmba e besëtytnisë; nuk përjashton as dhe një komb të vetëm sado barbar të jetë. Kjo lutje shqiptohet për kanibalin po ashtu dhe për të qytetëruarin, për të gjitha klimat dhe racat: rrethon të gjithë rrethin e tokës dhe nuk lë jashtë asnjë bir të Adamit. Ne duhet të jemi në këmbë dhe duke vepruar për Mjeshtrin tonë, përndryshe nuk mund të ofrojmë sinqerisht një lutje të tillë.
Peticioni nuk kërkohet me një zemër të sinqertë përveçse nëse përpiqemi, ashtu si Perëndia të na ndihmojë, të përhapim Mbretërinë e Mjeshtrit tonë. A nuk ka aty ca që neglizhojnë të përgjërojnë dhe të punojnë? Lexues, a është kjo lutja jote? Ktheji sytë nga kalvari. Shiko Zotin e Jetës të kryqëzuar në kryq, me kurorën me gjemba mbi vetull, me kokë, duar dhe këmbë të gjakosur. Çfarë! a mund të shikosh ti mbi këtë mrekulli të mrekullive,vdekjen e Birit të Perëndisë, pa ndjerë në gjirin tënd një adhurim të mrekullueshëm që gjuha nuk mund të shprehë dot? Dhe kur ndjen gjakun që po vepron në ndërgjegjen tënde dhe e di se Ai ka fshirë mëkatet e tua, ti nuk je burrë nëse nuk ngrihesh lart dhe nuk thërret, “Dhe e gjithë toka të mbushet me lavdinë e Tij;Amen, Amen.” A mund të përkulesh ti përpara të Kryqëzuarit në një homazh të dashur duke dashur të shikosh Mbretin tënd si sunduesin e tokës? Larg nga ty nëse mund të pretendosh se e do Princin tënd dhe të mos dëshirosh ta shikosh si sunduesin universal. Zelli yt është i pavlerë nëse nuk të çon të dëshirosh se e njëjta mëshirë që është treguar për ty, të mund të bekojë gjithë botën. Zot, është kohë e të korrurave, vër në punë draprin dhe korr.
7 gusht-mëngjes
“Kanë të drejtë që të duan”
{Kantiku i kantikeve 1:4}
Besimtarët e duan Jezusin me një dashuri më të thellë se sa guxojnë t’i japin çdo qenie tjetër. Ata do të parapëlqenin të humbnin babain dhe nënën se sa të hiqnin dorë prej Krishtit. Ata mbajnë çdo lehtësi të kësaj toke me një dorë të shkujdesur, por e mbajnë Atë të mbyllur fort në kraharorin e tyre. Ata vullnetarisht e mohojnë vetveten për hir të Tij dhe nuk shkojnë deri aty sa ta mohojnë. Zjarri i persekutimit mund të thajë dashurinë e pakët; dashuria e besimtarit të vërtetë është një rrjedhë më e thellë se kjo. Njerëzit janë përpjekur shumë të ndajnë besnikun prej Zotit të tyre, por në çdo kohë përpjekjet e tyre kanë qenë të pafrytshme. As kurorat e nderit ose vrenjtet e zemërimit nuk kanë zgjidhur këtë nyje gordiane. Ky nuk është si një bashkim i zakonshëm që fuqia e botës mund më në fund ta shkrijë. As njeriu as djalli nuk kanë gjetur çelësin që hap këtë bravë.
Kurrë fuqia e satanit nuk ka qenë aq e dobët atëherë kur e ka ushtruar duke kërkuar të copëtojë këtë bashkim të dy zemrave të shkrira në mënyrë hyjnore. Është e shkruar dhe asgjë nuk mund të fshijë shprehjen, “të drejtët të duan.” Intensiteti i dashurisë së të drejtit, megjithatë, nuk duhet të gjykohet aq shumë prej asaj sa duket se sa prej saj çfarë i drejti dëshiron me zjarr. Ne ngashërejmë përditë, sepse nuk mund të duam mjaftueshëm. Oh sikur zemrat tona të forcohen akoma dhe të arrijnë akoma më larg. Ashtu si Samuel Ruterford ne psherëtijmë dhe thërrasim, “oh, sikur të kisha aq shumë dashuri sa të shkoja rreth e përqark tokës dhe mbi qiell—po, qiellin e qiellit dhe 10 mijë botë—të lë gjithçka për Krishtin e hijshëm, e hijshëm, vetëm për Krishtin e hijshëm. “Sa keq! arritja jonë më e madhe nuk është veçse një dashuri e dobët dhe dashuria jonë nuk është veçse një pikë uji në krahasim me oqeanin e Tij të dashurisë. Mateni dashurinë tonë me anë të qëllimeve tona dhe do të jetë e lartë me të vërtetë;” dhe kështu ne besojmë se Zoti ynë e vlerëson. Oh, sikur të mund të jepnim gjithë dashurinë e të gjitha zemrave, e mbledhur në një masë të madhe, një grumbullim i të gjitha dashurive për Atë që është krejtësisht i dashur!
7 gusht-mbrëmje
“Por Satani na pengoi.”
{1 Thesalonikasve 2 :18}
Që prej çastit të parë kur e mira hyri në konflikt me të ligën, fakti se satani na pengon, nuk ka reshtur kurrë të jetë i vërtetë në eksperiencën shpirtërore. Nga çdo pikë e busullës, përgjatë rreshtit të betejës, në pararojë dhe në praparojë, në agim dhe në mesnatë, satani na pengon. Nëse ne punojmë në arë, ai kërkon të thyejë pluarin; nëse ne ndërtojmë murin, ai punon të hedh poshtë gurët; nëse ne do të mund t’i shërbenim Perëndisë në vuajtje ose në konflikt—kudo satani na pengon. Ai na pengon kur vijmë për herë të parë te Jezu Krishti. Konflikte të rrepta patëm me satanin kur shikuam për herë të parë te kryqi dhe jetuam. Tani që jemi të shpëtuar, ai përpiqet të pengojë plotësinë e karakterit tonë personal. Ti ndoshta je duke përgëzuar veten, “deri këtu kam ecur me qëndrueshmëri; askush nuk mund të vërë në pikëpyetje ndershmërinë time.”
Ki kujdes nga mburrja sepse virtyti jot do të vihet në provë përsëri; satani do të drejtojë makinerinë e tij kundër po atij virtyti për të cilin ti shquhesh. Nëse ke qenë deri këtu një besimtar i fortë, besimi jot do të sulmohet shumë shpejt; nëse ke qenë i përulur si Moisiu, prit që të tundohesh në të folurin e shkujdesur me buzët e tua. Zogjtë do të çukisin te fryti jot më i pjekur dhe derri i egër do të përplasë çatajtë e tij te hardhia jote më e zgjedhur. Me siguri që satani përpiqet të na pengojë kur ne jemi të zellshëm në lutje. Ai kontrollon nëse nuk jemi vigjilent dhe dobëson besimin tonë në mënyrë që, nëse e mundur, të mund të humbim bekimin. Po ashtu satani nuk është më pak vigjilent në pengimin e përpjekjes së të krishterit. Nuk pati kurrë një zgjim të besimit pa një zgjim të kundërshtimit ndaj tij. Po aq herët sa Ezra dhe Nehemia fillojnë të punojnë, Sanballati dhe Tobiah vihen në lëvizje për t’i penguar ato. Edhe çfarë pastaj? Ne nuk jemi të alarmuar sepse satani na pengon, sepse është një provë se ne jemi në anën e Zotit, se po bëjmë veprën e Zotit dhe në forcën e Tij ne do të fitojmë dhe do të triumfojmë mbi kundërshtarin tonë.
8 gusht-mëngjes
“Tjerrin rrjeta merimangash.”
{Isaia 59 :5}
Po të shikosh rrjetën e merimangës, do të dallosh aty një imazh shumë të ngjashëm me fenë e hipokritit. Ajo ka për qëllim të kapi prenë: merimanga ushqehet me miza dhe po ashtu edhe fariseu e merr shpërblimin e tij. Njerëzit e pamend bien lehtë pre e fjalëve të mëdha të mashtruesve dhe madje edhe njerëzit më të arsyeshëm nuk shpëtojnë gjithmonë. Pasi Filipi pagëzoi Simon magjistarin, deklarata e tij dinake e besimit u shkatërrua shumë shpejt prej qortimit të rreptë të Pjetrit. Zakoni, nami, lavdërimi, arritjet dhe miza të tjera, janë ato që hipokritët zënë në rrjetat e tyre. Një rrjetë merimange është një mrekulli zhdërvjelltësie; shikoje dhe admiro dredhitë hileqare të gjahtarit. A nuk është feja e gënjeshtarit po ashtu? Si e bën ai një gënjeshtër që duket sheshit të duket si një e vërtetë? Si mund t’i bëjë fjalët prej varaku të duket si ar?
Një rrjetë merimange vjen e gjitha prej vetë të brendshmeve të krijesës. Bleta mbledh dyllin e saj prej luleve, merimanga nuk thith lulet, prapëseprapë ajo tjerr materialin e saj pambarim. Po ashtu hipokritët e gjejnë besimin dhe shpresën e tyre brenda vetvetes; spiranca e tyre është farkëtuar në vetë kudhrën e tyre dhe litari i tyre është thurur me vetë duart e tyre. Ata vënë themelin e tyre dhe gdhendin shtyllat e shtëpive të tyre, duke përçmuar se janë borxhlinj të hirit sovran të Perëndisë. Mirëpo një rrjetë merimange është shumë e brishtë. Është e punuar në mënyrë të veçantë, por jo e punuar për të duruar gjatë. Ajo nuk nxjerr vështirësi për fshesën e shërbëtorit, ose për shkopin e udhëtarit. Hipokriti nuk ka nevojë për shumë për të copëtuar shpresën e tij, një e fryrë ere mjafton. Rrjetat me dy fytyra do të bien shpejt poshtë kur fshesa e shkatërrimit fillon punën e saj pastruese. Kjo gjë na kujton një mendim tjetër, se të tilla rrjeta nuk duhen toleruar aspak në shtëpinë e Zotit; Ai do të kujdeset që ata që i tjerrin të shkatërrohen përherë. O shpirti im, qëndro në diçka më të mirë sesa një rrjetë merimange. Le të jetë Zoti Jezus vendi yt i fshehjes përjetë.
8 gusht-mbrëmje
“Çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”
{Marku 9:23}
Shumë të krishterë të deklaruar dyshojnë dhe druajnë gjithmonë dhe mendojnë së koti se kjo është gjendja e nevojshme e besimtarit. Ky është një gabim, sepse “çdo gjë është e mundshme për atë që beson;” dhe është e mundur për ne të arrijmë në një gjendje të tillë sa një dyshim ose një frikë do të jetë veçse një zog kalimtar që përshkon shpirtin, por pa ndërtuar asnjëherë fole atje. Kur ju lexoni për shoqërimin e lartë dhe të ëmbël që kanë gëzuar shenjtorët e përzgjedhur, ju psherëtini dhe murmurisni në dhomën e zemrës suaj, “Sa keq! këto nuk janë për mua.” O besimtar, nëse ke besim, do të qëndrosh mbi majën e ndriçuar të tempullit, sepse “çdo gjë është e mundur për atë që beson.”
Ju dëgjoni për bëmat që njerëz të shenjtë kanë bërë për Jezusin; gjithë atë që kanë gëzuar prej Tij; se sa shumë kanë qenë të ngjashëm si Ai; se si kanë mundur të durojnë persekutime të mëdha për hirin e Tij; dhe ti thua; “Ah! sa për mua, nuk jam veçse një krimb; kurrë nuk mund të arrij deri aty.” Po nuk ka asgjë që një i shenjtë ishte, që ti nuk mund të jesh. Nuk ka lartësim hiri, arritje shpirtërore, qartësi sigurie, detyrë, që nuk është i hapur për ty nëse ke fuqinë të besosh. Lër mënjanë rrobat prej thesi dhe pluhurin dhe ngrihu në dinjitetin e pozicionit tënd; ti je i vogël në Izrael, sepse ti do që të jesh i tillë, jo sepse ka ndonjë nevojshmëri për të. Nuk është normale që ti të hiqesh zvarrë në pluhur, ti që je bir i një Mbreti. Ngjitu lart! Froni i artë i sigurisë po të pret! Kurora e shoqërimit me Jezusin është gati të zbukurojë ballin tënd. Mbështillu në të kuqe të ndezur dhe në të linjta të buta dhe jeto me dinjitet çdo ditë, sepse nëse beson, ushqimi yt do të jetë mbretëror; nga toka jote do të rrjedhë qumësht dhe mjaltë dhe shpirti yt do të kënaqet po ashtu si me palcë dhe dhjamë. Mblidh duaj hiri, sepse ato të presin në fushat e besimit. “Çdo gjë është e mundur për atë që beson.”
9 gusht-mëngjes
“Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të.”
{Zbulesa 21:23}
Atje në botën më të mirë, banorët janë të pavarur nga çdo rehati njerëzore. Nuk kanë nevojë për veshje; rrobat e tyre të bardha nuk vjetrohen kurrë dhe po ashtu ato kurrë nuk do të përlyen. Ata nuk kanë nevojë për ilaçe për të shëruar sëmundjet, “asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “Unë jam i sëmurë.” Ata nuk kanë nevojë për gjumë për të marrë veten—ata nuk pushojnë as ditën e as natën, por pa u lodhur lavdërojnë Atë në tempullin e Tij. Ata nuk kanë nevojë për marrëdhënie shoqërore për ngushëllim dhe çfarë do lumturie që mund të nxjerrin prej shoqërimit me miqtë e tyre nuk është kryesore për lumninë e tyre, sepse shoqëria e Zotit të tyre është e mjaftueshme për dëshirat e tyre më të mëdha.
Ata nuk kanë nevojë për mësues atje; pa dyshim që shoqërohen me njëri tjetrin në lidhje me gjërat e Perëndisë, por jo për të mësuar njëri tjetrin; ata do të jenë që të gjithë të mësuar prej Zotit. Lëmoshat në portën e mbretit janë tonat, por atje ata festojnë me banket. Këtu ne mbështetemi mbi krahun miqësor, por atje ata mbështeten te i Shumëdashuri i tyre dhe te Ai vetëm. Këtu ne kemi nevojë për ndihmën e miqve tanë, por atje ata gjejnë ç’të duan në Jezu Krishtin. Këtu ne kërkojmë për ushqimin që prishet dhe për veshjen që brehet nga mola, por atje ata gjejnë gjithçka në Perëndinë. Ne përdorim kovat për të mbushur ujë në pus, por atje ata pinë prej krye burimit, ujin e gjallë. Këtu engjëjt na sjellin bekime, por atje nuk do të na mungojnë korrierët prej qiellit. Ata nuk do të kenë nevojë për Gabrielë atje për t’i sjellë letra dashurie nga Perëndia, sepse atje do ta shikojnë ballë për ballë. Oh! çfarë kohe e bekuar do të jetë ajo kur ne do të jemi mbi çdo shkak të dytë dhe do të mbështetemi pa luhatje mbi krahun e Perëndisë! Çfarë ore e lavdishme kur Perëndia dhe jo krijesat e Tij; Zoti dhe jo veprat e Tij, do të jenë gëzimi ynë i përditshëm! Shpirtrat tanë do të kenë arritur atëherë përsosjen e lumnisë.
9 gusht-mbrëmje
“Ai iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.”
{Marku 16 :9}
Mari Magdalena ishte viktima e një të lige të frikshme. Ajo ishte e pushtuar jo vetëm prej një demoni, por prej shtatë syresh. Këta banorë të tmerrshëm i shkaktonin shumë dhimbje dhe ndotje trupit të varfër ku kishin gjetur strehë. Rasti i saj ishte i pashpresë, i tmerrshëm. Ajo nuk mund ta ndihmonte veten, as ndonjë ndihmë njeriu nuk mund t’i hynte dot në punë. Mirëpo Jezusi kaloi nga ajo udhë, pa e kërkuar njeri, ndoshta madje edhe hasi rezistence prej demoniakes së shkretë; Ai shqiptoi fjalën e fuqisë dhe Mari Magdalena u bë një trofe e fuqisë shëruese së Jezusit. Të shtatë demonët e lanë atë, e lanë për të mos u kthyer kurrë, të nxjerrë jashtë me forcë prej Zotit të gjithçkaje. Çfarë çlirimi i bekuar! Çfarë ndryshimi i lumtur! Prej delirit në kënaqësi, prej dëshpërimit në paqe, prej ferrit në parajsë!
Menjëherë ajo u bë një ndjekëse e qëndrueshme e Jezusit, duke kapur çdo fjalë të Tij, duke ndjekur kudo hapat e Tij, duke pasur pjesë jetën e Tij të mundimshme; dhe për më tepër ajo u bë ndihmësja e Tij zemërgjerë, e para prej atij grupi grash të shëruara dhe mirënjohëse që i shërbyen Atij vetë ushqimin e tyre. Kur Jezusi u ngrit lart në kryq Maria mbeti pjesëmarrëse e turpit të Tij; ne e gjejmë atë së pari tek shikon nga larg dhe më pas tek lëviz afër këmbës së kryqit. Ajo nuk mund të vdiste në kryq me Jezusin, por ajo qëndroi aq afër sa mundi dhe kur trupi i Tij u ul poshtë, ajo kërkoi të shohë si dhe ku u vendos. Ajo ishte besimtarja besnike dhe vigjilente, e fundit tek varri ku Jezusi fjeti, e para tek varri ku Ai u ngjall. Besnikëria e saj e bëri një soditëse të privilegjuar të Rabonisë së saj të dashur, që begenisi ta thërriste me emrin e saj dhe ta bënte atë korrierin e Tij të lajmeve të mira për dishepujt e dridhur dhe Pjetrin. Kështu, hiri e gjeti atë maniake dhe e bëri një shërbëtore, nxori jashtë djaj dhe i dha që të shikonte engjëj, e çliroi prej satanit dhe e bashkoi përjetë me Zotin Jezus. Le të jem unë gjithashtu një mrekulli hiri!
10 gusht-mëngjes
“Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë.”
{Kolosianëve 3:4}
Shprehja mrekullisht e pasur e Palit tregon se Krishti është burimi i jetës sonë. “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate.” I njëjti zë që nxori Llazarin jashtë varrit na ngjalli në një jetë të re. Ai është tani thelbi i jetës sonë shpirtërore. Është me jetën e Tij që ne jetojmë; Ai është në ne, shpresa e lavdisë, nxitësi i veprimeve tona, mendimi qendror që lëviz çdo mendim tjetër. Krishti është ushqimi i jetës sonë. Me çfarë mund të ushqehet i krishteri përveçse me gjakun dhe mishin e Jezusit? “Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.” O ju shtegtarë të rraskapitur në këtë shkretëtirë të mëkatit, ju kurrë nuk do të merrni ndonjë kafshatë për të kënaqur urinë e frymëve tuaja, nëse nuk e gjeni në Të! Krishti është ngushëllimi i jetës sonë. Të gjitha gëzimet tona të vërteta vijnë prej Tij; dhe në kohë të trazuara, prania e Tij është ngushëllimi ynë.
Nuk ka gjë tjetër për të cilën ia vlen të jetosh përveç për Të; dhe dashamirësia e Tij është më mirë se sa jeta! Krishti është objekti i jetës sonë. Ashtu si anija shpejton drejt portit, po ashtu nxiton besimtari drejt limanit së gjirit të Shpëtimtarit të Tij. Ashtu si shigjeta fluturon drejt shënjestrës së saj, po ashtu edhe i krishteri drejt përsosjes së shoqërimit të tij me Jezu Krishtin. Po ashtu si ushtari lufton për kapitenin e tij dhe kurorëzohet me fitoren e kapitenit, po ashtu besimtari lufton për Krishtin dhe i merr triumfet prej triumfeve të Zotit të tij. “Për atë, të jetuarit është Krishti,” Krishti është shembulli i jetës sonë. Atje ku ndodhet e njëjta jetë përbrenda, do të ketë, duhet të ketë, në një shkallë të gjerë të njëjtat zhvillime përjashta; dhe nëse ne jetojmë në shoqërim të ngushtë me Zotin Jezus ne do të rritemi në ngjasim me Të. Ne do ta vendosim Atë përpara nesh si kopjen tonë Hyjnore dhe do të kërkojmë të ecim në hapat e Tij, derisa Ai të bëhet kurora e jetës sonë në lavdi. Oh! sa i sigurtë, sa i nderuar, sa i lumtur është i krishteri, përderisa Krishti është jeta jonë!
10 gusht-mbrëmje
“Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet.”
{Mateu 9 :6}
Shiko një nga aftësitë më të fuqishme të Mjekut të madh; Ai ka fuqi të falë mëkatet! Kur Ai jetoi këtu poshtë, para se borxhi të ishte paguar, para se gjaku të ishte spërkatur i tëri në pajtuesin, Ai pati fuqi të falte mëkatet. A nuk ka Ai fuqi ta bëjë këtë, tani që ka vdekur? Çfarë fuqie duhet të qëndrojë në Të që deri në qindarkën e fundit ka falur besnikërisht borxhet e popullit të Tij! Ai ka fuqi të pakufishme tani që i ka dhënë fund shkeljes dhe mëkatit. Nëse e dyshon këtë, shikoje tek ngrihet prej së vdekuri! shikoje në shkëlqim tek ngrihet në krahun e djathtë të Perëndisë! Dëgjoje tek del si avokat mbrojtës përpara Atit të përjetshëm, duke treguar plagët, duke nxjerrë në pah meritat e pasionit të Tij të shenjtë! Çfarë fuqie falëse ka këtu!”
Ai u ngjit lart dhe u dha dhurata njerëzve.” “Ai u lartësua për të dhënë pendimin dhe faljen e mëkateve.” Mëkatet më të kuq janë larë nga gjaku i Tij i kuq. Në këtë çast, lexues i shtrenjtë, çfarë do qoftë mëkati yt, Krishti ka fuqi të falë, fuqi të falë ty dhe miliona të tjerë si ti. Një fjalë e vetme do të mjaftojë. Ai nuk ka asgjë tjetër më tepër për të bërë për të fituar faljen tënde; e gjithë vepra shlyese është e kryer. Në përgjigje të lotëve të tu, Ai mund të falë mëkatet e tua sot dhe të ta bëjë të njohur këtë gjë. Ai mund të frymëzojë në shpirtin tënd në këtë çast një paqe me Perëndinë që tejkalon çdo kuptim, që do të burojë prej faljes së përkryer të padrejtësive të tua të shumta. A e beson këtë? Unë besoj se ti e beson këtë. Ah sikur të ndjeje tani fuqinë e Jezusit për të falur mëkatet! Mos humb kohë për t’ju drejtuar Mjekut të shpirtrave, por shpejto tek Ai me fjalë si këto:—
Jezus! Zot! dëgjo thirrjen time;
Më shpëto, më shëro me një fjalë;
I mekur në këmbët e Tua shtrihem,
Ti dëgjove pëshpërimën e ankesës sime.
11 gusht-mëngjes
“Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës.”
{Jobi 29 :2}
Shumë të krishterë mund të shikojnë të kaluarën me kënaqësi, por e shikojnë të tashmen me pakënaqësi; ata shikojnë mbrapa ditët që kanë kaluar në shoqërim me Zotin si më të ëmblat dhe më të mirat që kanë njohur ndonjëherë, por përsa i përket së tashmes, ajo është e veshur në rroba të zymta melankolie dhe trishtimi. Një here ata jetuan pranë Jezusit, por tani ata ndjejnë se kanë bredhur larg Tij dhe thonë, “ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës!”Ata qahen se kanë humbur dëshmitë e tyre, ose se nuk kanë tani paqe mendjeje, ose se nuk kanë gëzim në të mjetet e hirit, ose se ndërgjegjja nuk është dhe aq e butë, ose se ata nuk kanë dhe aq zell për lavdinë e Perëndisë.
Shkaqet e kësaj gjendjeje të zymtë janë të shumta. Kjo mund të vijë prej lënies pas dore së lutjes, sepse një lutje e lënë pas dore është fillimi i çdo tatëpjete shpirtërore. Ose mund të jetë rezultati i idhujtarisë. Zemra ka qenë e zënë me diçka tjetër, më shumë se me Perëndinë; dashuria është vendosur mbi gjërat e tokës në vend të gjërave të qiellit. Një Perëndi xheloz nuk do të jetë i kënaqur me një zemër të ndarë; Ai duhet dashur i pari dhe më shumë. Ai do të tërheqë shkëlqimin e pranisë së Tij prej një zemre të ftohtë dhe luhatëse. Ose shkaku mund të gjendet në vetëbesimin dhe vetëdrejtësinë. Krenaria është duke punuar në zemër dhe vetja është e madhëruar në vend që të qëndrojmë të përulur në këmbën e kryqit. I krishterë, nëse tani nuk jeni si “ishe në muajt e së kaluarës,” mos qëndro i kënaqur thjesht duke dëshiruar një kthim në lumturinë e mëparshme, por shko menjëherë të kërkosh Zotin tënd dhe shprehi gjendjen tënde të trishtuar. Kërko hirin e Tij dhe forcë për të të ndihmuar të ecësh më afër me Të; përule veten përpara Atij dhe Ai do të ngrejë dhe dorëzoje veten përsëri për të gëzuar dritën e pamjes së Tij. Mos u ul poshtë duke psherëtirë dhe duke ngashëruar; ndërsa Mjeku i dashur jeton, ka shpresë, madje, ka një siguri mëkëmbjeje për rastet më të rënda.
11 gusht-mbrëmje
“Një ngushëllim të përjetshëm.”
{2 Thesalonikasve 2 :16}
“Ngushëllim.” Ka muzikë në këtë fjalë; si harpa e Davidit, largon si me magjepsje frymën e keqe të dëshpërimit. Ishte një nder i shquar për Barnabain të quhej “biri i ngushëllimit;” madje, është një prej emrave të ndritur të dikujt më i madh se Barnabai, sepse Zoti Jezus është “ngushëllimi i Izraelit”—këtu është kremi i gjithçkaje, sepse përjetësia e ngushëllimit është kurora dhe lavdia e Tij. Çfarë është ky “ngushëllim i përjetshëm?” Ai përfshin një ndijim të mëkatit të falur. I krishteri ka marrë në zemër dëshminë e Frymës, se padrejtësitë e tij janë fshirë si një re dhe shkeljet e tij si një re e dendur.
Nëse mëkati është i falur, a nuk ka atëherë një ngushëllim të përjetshëm? Më pas, Zoti i jep popullit të Tij një ndijim të qëndrueshëm të pranimit në Krisht. I krishteri e di se Perëndia e shikon si duke qëndruar i bashkuar me Jezusin. Bashkimi me Zotin e ringjallur është një ngushëllim i llojit më të qëndrueshëm; është në fakt i përjetshëm. Le të na dërrmojë sëmundja, a nuk kemi parë qindra besimtarë po aq të lumtur në dobësinë e sëmundjes sa do të kishin qenë në forcën e një shëndeti të lulëzuar dhe të qëndrueshëm? Le të na shpojë shigjeta e vdekjes në zemër, ngushëllimi jonë nuk vdes, sepse a nuk kanë dëgjuar shpesh veshët tanë këngët e shenjtorëve tek gëzoheshin sepse dashuria e gjallë e Perëndisë ishte përhapur në zemrat e tyre në çastet e vdekjes? Po, një ndijim pranimi në të Dashurin është një ngushëllim i përjetshëm. Për më tepër, i krishteri ka një bindje të sigurisë së tij. Perëndia ka premtuar të shpëtojë ata që besojnë në Krisht; i krishteri beson me të vërtetë në Krisht dhe beson se Perëndia do të jetë po aq i mirë sa fjala e Tij dhe do ta shpëtojë atë. Ai e ndjen se është i sigurtë për shkak se është i ndërlidhur me personin dhe veprën e Jezusit.
12 gusht-mëngjes
“Zoti mbretëron, le të gëzohet toka.”
{Psalmi 97 :1}
Nuk ka asnjë shkak për shqetësim për aq sa kjo shprehje e bekuar është e vërtetë. Në tokë fuqia e Zotit kontrollon po me aq aftësi zemërimin e të ligut sa zemërimin e detit; dashuria e Tij po aq lehtë e freskon të varfrin me mëshirë sa tokën me shira. Madhështia e Tij shkëlqen në shkreptima zjarri mes tmerreve të stuhisë dhe lavdia e Zotit shikohet në madhështinë e saj në rënien e perandorive dhe në copëtimin e froneve. Në të gjitha konfliktet dhe mundimet tona ne mund të shikojmë dorën e Mbretit hyjnor.
Perëndia është Perëndi; Ai shikon dhe dëgjon
Të gjitha vështirësitë dhe lotët tona.
Shpirt, mos harro, në mes të dhimbjeve të tua,
Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.
Në ferr, frymët e këqija, pësojnë, me mjerim, epërsinë e Tij të padiskutueshme. Atëherë kur lejohen të bredhin jashtë, është me një zinxhir në këmbën e tyre, gojëza është në gojën e behemotit dhe çengeli në noçkat e leviatanit. Thumbat e vdekjes janë nën kyçin e Zotit dhe burgjet e varreve kanë fuqi hyjnore si gardian të tyre. Hakmarrja e tmerrshme e Gjykatësit të gjithë tokës i bën djajtë të shuken dhe të dridhen, po ashtu si qentë në stelë kanë frikë thuprën e gjahtarit.
Mos druaj vdekjen, as thumbat e satanit,
Perëndia mbron atë që në Të beson;
Shpirt, kujto, në dhimbjet e tuaja,
Perëndia mbi gjithçka përherë mbretëron.
Në qiell askush nuk dyshon sovranitetin e Mbretit të Përjetshëm, por të gjithë përulen me fytyrë poshtë për t’i bërë homazhe. Engjëjt janë oborrtarët e Tij, të shpenguarit janë favoritët e Tij dhe të gjithë kënaqen duke i shërbyer ditë dhe natë. Ah sikur të mund të arrijmë shpejt qytetin e Mbretit të madh!
Në këtë jetë nate të gjatë trishtimi
Ai do të na japë paqe dhe hare.
Shpirt, kujto, në dhimbjet e tua,
Perëndia mbi gjithçka mbretëron.
12 gusht-mbrëmje
“Harku të shfaqet në retë.”
{Zanafilla 9 :14}
Ylberi, simboli i besëlidhjes me Noeun, është tipik i Zotit tonë Jezus, që është dëshmia e Zotit për popullin e Tij. Kur mund të presim ta shikojmë shenjën e besëlidhjes? Ylberi shikohet vetëm kur është mbi re. Kur ndërgjegjja e mëkatarit është e errët nga retë, kur ai kujton mëkatet e tij të kaluara dhe vajton dhe ngashërehet përpara Zotit, Jezu Krishti i shfaqet si një ylber i Besëlidhjes duke shfaqur të gjitha ngjyrimet e karakterit hyjnor dhe paqes pararendëse. Është e ëmbël për besimtarin të shikojë personin e Zotit tonë Jezu Krisht atëherë kur sprovat dhe tundimet e rrethojnë, —të shikojë Atë duke nxjerrë gjak, duke jetuar, duke u ngritur lart dhe duke dalë në mbrojtje për ne. Ylberi i Perëndisë është i varur mbi retë e mëkateve tona, trishtimeve tona, fatkeqësive tona, për të profetizuar çlirimin.
Nuk mjafton reja për të shfaqur ylberin; duhen edhe pikat e kristalta për të reflektuar dritën e diellit. Kështu, trishtimet tona nuk duhet vetëm të qëndrojnë mbi ne por duhet të bien me të vërtetë mbi ne. Nuk do të kishte Krisht për ne nëse hakmarrja e Perëndisë do të kishte qenë thjesht vetëm një re kërcënuese; dënimi duhet të bjerë me pika të rrëmbyeshme mbi Dorëzanin. Pa një ankth të vërtetë në ndërgjegjen e mëkatarit, nuk ka Krisht për të; deri sa ndreqja që ai ndjen të bëhet e dhimbshme ai nuk mund të shohë Jezusin. Por duhet të ketë gjithashtu një diell; sepse retë dhe pikat e shiut nuk shfaqin dot ylberin po të mos shkëlqejë dielli. Të dashur, Perëndia ynë, që është si dielli për ne, shkëlqen përherë, por ne nuk e shikojmë përherë—-retë fshehin fytyrën e Tij ;por nuk ka rëndësi çfarë pikash po bien, ose çfarë resh po kërcënojnë, nëse Ai shkëlqen, do të ketë një ylber menjëherë. Thuhet se kur shikojmë ylberin shiu ka pushuar. Është e sigurtë se kur Krishti vjen, vështirësitë tona fshihen; kur ne shikojmë Jezusin, mëkatet tona fshihen, dyshimet tona dhe frikërat tona qetësohen. Kur Jezusi ecën mbi ujërat e detit, sa e thellë qetësia!
13 gusht-mëngjes
“Kedrat e Libanit që Ai ka mbjellë.”
{Psalmi 104 :16}
Kedrat e Libanit janë emblemat e të krishterit, sepse mbjellja e tyre është tërësisht nga Zoti. Kjo është shumë e vërtetë për çdo fëmijë të Perëndisë. Ai nuk është i mbjellur nga njeriu, ose i vetëmbjellur, por i mbjellur nga Perëndia. Dora misterioze e Frymës së Shenjtë hodhi farën e gjallë në një zemër që Ai vetë pati përgatitur për marrjen e farës. Çdo trashëgimtar i vërtetë i qiellit i përket Bujkut të madh duke qenë mbjellësi i tij. Për më tepër, kedrat e Libanit nuk varen nga njerëzit për ujitjen e tyre; ato qëndrojnë mbi shkëmbin e lartë, të pa njomur nga ujitja njerëzore; dhe prapëseprapë Ati ynë qiellor i furnizon ato. Kështu është me të krishterin që ka mësuar të jetojë me anë të besimit. Ai është i pavarur nga njeriu, edhe në gjërat e përkohshme; për jetesën e tij ai shikon te Zoti, Perëndia i Tij dhe vetëm te Ai. Vesa e qiellit është pjesa e tij dhe Perëndia i qiellit është burimi i tij.
Po ashtu kedrat e Libanit nuk mbrohen prej ndonjë fuqie të vdekshme. Ato nuk i detyrohen asgjë njeriut për ruajtjen prej erës së vrullshme dhe stuhisë. Ato janë pemët e Perëndisë, të mbajtura dhe të ruajtura prej Tij dhe vetëm prej Tij. Është pikërisht e njëjta gjë me të krishterin. Ai nuk është një bimë sere, i mbrojtur nga tundimi; ai qëndron në pozicionin më të zbuluar; ai nuk ka strehë, as mbrojtje, veç se krahët e gjerë të Perëndisë të përjetshëm gjithmonë mbulojnë kedrat që vetë Ai ka mbjellë. Ashtu si kedrat, besimtarët janë plot me limfë, duke pasur mjaftueshëm forcë jetësore për të qenë përherë të blertë, madje edhe mes borës së dimrit. Së fundi, gjendja e lulëzuar dhe madhështore e kedrit është për lavdinë e Perëndisë vetëm. Zoti, vetëm Ai ka qenë çdo gjë për kedrat dhe prandaj Davidi shumë ëmbëlsisht e thotë në një prej psalmeve ; “Lëvdojeni Zotin, mbarë dru frutorë dhe kedra.” Në besimtarin nuk ka asgjë që mund të madhërojë njeriun; ai është i mbjellë, i ushqyer dhe i mbrojtur nga dora e Zotit dhe Zotit duhet t’i përkasë e gjithë lavdia.
13 gusht-mbrëmje
“Dhe Unë do të kujtohem për besëlidhjen time.”
{Zanafilla 9 :15}
Vini re formën e premtimit. Perëndia nuk thotë, “kur do të shikoni ylberin dhe ju do të kujtoni besëlidhjen time, atëherë Unë nuk do të shkatërroj tokën,” por është shënuar në mënyrë të lavdishme, jo mbi kujtesën tonë, që është e paqëndrueshme dhe e brishtë, por mbi kujtesën e Perëndisë, që është e pafundme dhe e pandryshueshme. “Harku, pra, do të ndodhet në retë dhe Unë do ta shikoj për të kujtuar besëlidhjen e përjetshme.” Oh! nuk jam unë që kujtoj Perëndinë, është kujtesa e Perëndisë për mua që është baza e sigurisë sime; nuk jam unë që kap besëlidhjen e Tij, por është besëlidhja e Tij që me kap mua. Lavdi Perëndisë! të gjitha fortifikatat e shpëtimit janë të siguruara me fuqi hyjnore; dhe madje dhe kullat më të vogla që do të mendonim se i janë lënë njeriut, janë të ruajtura me forcë të plotfuqishme.
Kujtesa e besëlidhjes nuk i është lënë memories sonë, sepse ne mund të harrojmë, por Zoti ynë nuk mund të harrojë shenjtorët që i ka skalitur në pëllëmbët e duarve të Tij. Ai është me ne po ashtu si me Izraelin në Egjipt; gjaku ishte mbi shtalkat dhe arkitraun, por Zoti nuk tha; “kur të shikoni gjakun do të kaloj mbi ju,” por “kur të shikoj gjakun do kaloj mbi ju.” Shikimi im te Jezusi më sjell gëzim dhe paqe, por është shikimi i Perëndisë te Jezusi që më siguron shpëtimin tim dhe atë të gjithë të zgjedhurve, përderisa është e pamundur për Perëndinë tonë të shikojë te Krishti, Sigurinë tonë të gjakosur dhe më pas të jetë i zemëruar me ne për mëkatet tashmë të dënuara në Të. Jo, madje nuk na është lënë neve të shpëtohemi duke kujtuar besëlidhjen. Nuk ka përzierje fijesh këtu, as dhe një fill i krijesës nuk prish pëlhurën. Nuk është prej njeriut, as me njeriun, por prej Zotit vetëm. Ne duhet të kujtojmë besëlidhjen dhe do ta bëjmë një gjë të tillë, me anë të hirit hyjnor, por siguria jonë nuk varet atje—-është Perëndia që kujtohet për ne dhe jo ne për Atë; kështu që besëlidhja është një besëlidhje e përjetshme.
14 gusht-mëngjes
“Unë ngazëllohem për veprat e duarve të Tua.”
{Psalmi 92 :4}
A beson se mëkatet e tua janë të falura dhe se Krishti ka bërë një shlyerje të plotë për to? Atëherë çfarë i krishterë i gëzuar ti duhet të jesh! Ti jeton mbi sprovat e zakonshme dhe vështirësitë e botës! Përderisa mëkati është i falur, a ka ndonjë rëndësi se çfarë të ndodh tani? Luteri tha, “Godit, Zot, godit, sepse mëkati im është i falur; nëse më ke falur, më godit aq fort sa të duash;” dhe në një frymë të ngjashme mund të thuash, “dërgo sëmundje, varfëri, humbje, kryqe, persekutime, çfarë do, Ti më ke falur dhe shpirti im është i kënaqur.” I krishterë, nëse je kështu i shpëtuar, ji mirënjohës dhe dashamirës ndërsa je i gëzuar. Rri ngjitur atij kryqi që fshiu mëkatet e tua; shërbeji Atij që të shërbeu. “ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Zelli juaj le të mos avullojë me ndonjë vlim të çastit. Trego dashurinë tënde me shenja të dallueshme. Duaje vëllain e atij që ju deshi.
Nëse ka ndonjë Mefibosheth diku që është i çalë ose topall, ndihmoje për hir të Xhonatanit. Nëse aty ka ndonjë të varfër besimtar të sprovuar, qaj me të dhe mbaj kryqin e tij për hirin e atij që qau për ty dhe mbajti mëkatet e tua. Përderisa ti je kështu i falur falas për hir të Krishtit, shko dhe ndaj me të tjerët lajmin e gëzuar të mëshirës falëse. Mos ji i kënaqur me këtë bekim të pashprehshëm vetëm për veten tënde, por shpall historinë e kryqit. Hare e shenjtë dhe kurajë e shenjtë do të bëjë një predikues të mirë dhe e gjithë bota do të jetë predikatore. Shenjtëria e hareshme është predikimi më bindës, por Zoti duhet të ta japë. Kërkoje këtë mëngjes përpara se të shkosh mes botës. Ndërsa është vepra e Zotit që na gëzon, nuk kemi nevojë të kemi frikë kur jemi shumë të gëzuar.
14 gusht-mbrëmje
“I njoh vuajtjet e tij.”
{Eksodi 3 :7}
Fëmija është i gëzuar ndërsa këndon, “Këtë Ati im e di;” dhe a nuk do të jemi ne të ngushëlluar kur dallojmë se Miku ynë i dashur dhe dhëndri me zemër të butë njeh gjithçka për ne?
1. Ai është Mjeku dhe nëse Ai di gjithçka, nuk ka nevojë që pacienti të dijë. Mbaj qetësi, ti zemër luhatëse, kureshtare, përgjuese dhe dyshuese! Çfarë nuk di tani, do ta dish më pas, dhe ndërkohë Jezusi, mjeku dashamirës, njeh shpirtin tënd në kundërshti. Pse vallë i duhet pacientit të analizojë gjithë mjekësinë, ose të vlerësojë simptomat? Kjo është puna e mjekut, jo e imja; është puna ime të besoj dhe puna e Tij të japë recetën. Nëse ai do ta shkruante recetën e tij në karaktere trashanike që nuk mund t’i lexoj, nuk do të ndihem keq për këtë, por do të mbështetem mbi aftësinë e tij të pagabueshme për të bërë çdo gjë mirë përsa i përket rezultatit, sado misterioze të jetë procesi.
2. Ai është Mjeshtri, dhe njohuria e Tij është për të na shërbyer neve, ne duhet të bindemi dhe jo të gjykojmë: “Shërbëtori nuk e di çfarë bën zotëria i tij.” A do ti shpjegonte arkitekti planet e tij çdo punëtori? Nëse ai e njeh qëllimin e vet,a nuk mjafton? Ena në çark nuk mund ta marrë me mend se sipas çfarë modeli do të bëhet, por nëse poçari e kupton artin e tij, çfarë rëndësie ka padija e baltës? Zoti im nuk duhet të hetohet më nga një njeri kaq i paditur sa unë.
3. Ai është Koka. Çdo kuptim përqendrohet atje. Çfarë gjykimi ka krahu ?Çfarë kuptimi ka këmba? Çdo fuqi për të njohur qëndron në kokë. Pse një gjymtyrë duhet të ketë një tru të vetin atëherë kur koka përmbush për të çdo detyrë intelektuale? Këtu, pra, besimtari duhet të ngushëllohet në sëmundjen e tij, jo se ai vetë mund të shohë fundin, por se Jezusi njeh gjithçka. Zot i ëmbël, ji përherë sy, dhe shpirt, dhe kokë për ne, dhe le të jemi të kënaqur të njohim vetëm atë që Ti zgjedh për të na shfaqur.
15 gusht-mëngjes
“Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për të menduar.”
{Zanafilla 24 :63}
Shumë e admirueshme ishte punëzënia e tij. Nëse ata që shpenzojnë kaq shumë orë në shoqëri të ngeshme, lexim sipërfaqësor dhe duke kaluar kohën kot, të mund të mësonin urtësinë, do të gjenin shoqërim më të dobishëm dhe një kohëzënie më interesante në përsiatje se sa në kotësitë që janë tani kaq joshëse për ta. Ne të gjithë do të njihnim më shumë, do të jetonim me afër Perëndisë dhe do të rriteshim në hir, nëse do të ishim më tepër vetëm. Përsiatja përtyp mirë e mirë dhe nxjerr ushqimin e vërtetë prej ushqimit mendor të mbledhur. Kur Jezusi është tema, përsiatja është e ëmbël me të vërtetë. Isaku gjeti Rebekën ndërsa ishte i zhytur në mendime; shumë të tjerë kanë gjetur më të dashurit kështu.
Shumë e admirueshme ishte zgjedhja e vendit. Në fushë kemi një sallë studimi rreth e përqark me tekste për mendim. Prej kedrit te hisopi, prej shqiponjës që ngrihet fluturim deri tek karkaleci cingërues, prej hapësirës blu të qiellit deri tek pika e vesës, të gjitha gjërat janë plot me mësim dhe kur syri është i hapur në mënyrë hyjnore, ai mësim shkreptin në mendje shumë më me forcë se sa prej librave të shkruar. Le të mos shikojmë asgjë si të zakonshme ose të papastër, por të ndjejmë se të gjitha gjërat e krijuara tregojnë me gisht Krijuesin e tyre dhe fusha do të shenjtërohet në çast.
Shumë e admirueshme ishte koha. Koha e perëndimit të diellit tek tërheq një vello mbi ditën, i përshtatet çlodhjes së shpirtit kur hallet njerëzore dorëzohen para gëzimeve të shoqërimit hyjnor. Lavdia e diellit perëndues nxit habinë tonë dhe solemniteti i natës që afron ngjall nderimin tonë. Nëse puna e kësaj dite do ta lejonte, do të ishte mirë, lexues i shtrenjtë, nëse të mund të kurseje një orë për të ecur në fushë në mbrëmje, po nëse jo, Zoti është në qytet gjithashtu, dhe do të takojë në dhomën tënde ose në rrugën e mbushur me njerëz. Le të shkojë zemra jote përpara për ta takuar.
15 gusht-mbrëmje
“Do t’ju jap zemër prej mishi.”
{Ezekieli 36:26}
Një zemër prej mishi njihet për ndjeshmërinë e saj në lidhje me mëkatin. Të kesh toleruar një imagjinatë të fëlliqur,ose të kesh lejuar një dëshirë të ligë të qëndrojë edhe për një çast, mjafton për të pikëlluar një zemër prej mishi para Zotit. Zemra prej guri asgjë nuk quan një padrejtësi të madhe, por nuk ndodh kështu me zemrën prej mishi.
“Nëse majtas ose djathtas dredhoj,
Atë çast o Zot, qorto,
Dhe me lër të qaj mbi jetën time,
Ngaqë kam lënduar dashurinë tënde”
Zemra prej mishi është e ndjeshme në lidhje me vullnetin e Zotit. Zoti im “vetja”është një kacagjel dhe është e vështirë t’ia nënshtrosh vullnetit të Perëndisë, por kur na jepet një zemër prej mishi,vullneti luhatet si një gjethe plepi nga çdo puhizë qiellore dhe përkulet si një shelg nga çdo fllad i Frymës së Perëndisë. Vullneti natyral është i ftohtë, hekur i fortë, që nuk ka pse të rrihet me çekiç për t’i dhënë formë, por vullneti i përtëritur, ashtu si një metal i shkrirë, derdhet në kallëp prej dorës së hirit. Në zemrën prej mishi ka një butësi ndjenjash. Zemra e ngurtë nuk e do Shpenguesin, por zemra e ripërtëritur digjet me dashuri për Të. Zemra e ngurtë është egoiste dhe me ftohtësi pyet, “Pse duhet të qaj për mëkatin? Pse duhet ta dua Zotin?” Por zemra prej mishi thotë; “Zot, ti e di se të dua; më ndihmo të të dua me shumë!” Janë shumë privilegjet e kësaj zemre të ripërtëritur; “Është këtu ku Fryma banon,” është këtu ku Jezusi qëndron. “Është e përshtatur të marrë çdo bekim shpirtëror dhe çdo bekim vjen aty. Është e përgatitur të japë çdo fryt qiellor për nderin dhe lavdinë e Perëndisë dhe prandaj Zoti gjen kënaqësi në të. Një zemër e butë është mbrojtja me e mirë kundër mëkatit dhe përgatitja më e mirë për qiellin. Një zemër e ripërtëritur qëndron mbi kullën e rojës duke shikuar për ardhjen e Zotit Jezus. A e ke ti këtë zemër prej mishi?
16 gusht-mëngjes
“I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të Tij.”
{Psalmi 29 :2}
Lavdia e Perëndisë është rezultati i natyrës së Tij dhe të veprimeve të Tij. Ai është i lavdishëm në karakterin e Tij, sepse ka një grumbullim të tillë në Perëndinë, të çdo gjëje që është e shenjtë, e mirë dhe e dashur, sa Ai duhet të jetë i lavdishëm. Veprimet që rrjedhin prej karakterit të Tij janë gjithashtu të lavdishme, por ndërsa Ai ka për qëllim që ato t’i shfaqin krijesave të Tij mirësinë e Tij, mëshirën dhe drejtësinë e Tij, Ai kujdeset në të njëjtën kohë që lavdia që i shoqëron t’i jepet vetëm Atij. As nuk ka ndonjë gjë në vetveten tonë në të cilën ne mund të lavdërohemi, sepse çfarë na bën të ndryshojmë nga ndonjë tjetër? Dhe çfarë kemi ne që nuk morëm prej Perëndisë të çdo hiri? Prandaj sa me kujdes duhet që ne të ecim përulësisht përpara Zotit! Në çastin kur lavdërojmë vetveten, përderisa ka vend vetëm për një lavdi në univers, ne e vendosim veten si rivalë të Shumëtëlartit.
A do të lavdërohej insekti që rron një orë kundrejt diellit që e ngrohi gjatë gjithë jetës? A do të madhërojë veten ena prej balte mbi njeriun që e formoi mbi çark? A do të dyluftojë pluhuri i shkretëtirës me shakullinën? Ose pikat e oqeanit të luftojnë me stuhinë? I jepni Zotit, ju të gjithë të drejtët, i jepni Zotit lavdinë dhe forcën; i jepni nderin që i përket emrit të Tij. Prapëseprapë është ndoshta një prej betejave më të vështira të jetës së një krishteri të mësojë këtë shprehje—“Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit Tënd jepi lavdi.” Është një mësim që Perëndia na mëson përherë dhe na e mëson ndonjëherë me disiplinë të dhimbshme. Le të fillojë një i krishterë të mburret, “unë mund të bëj çdo gjë,” pa shtuar “nëpërmjet Krishtit që më forcon,” dhe pa kaluar shumë kohë ai do të psherëtijë, “nuk mund të bëj asgjë,” dhe do të përulë veten në pluhur. Kur bëjmë ndonjë gjë për Zotin dhe Ai gjen kënaqësi të pranojë veprat tona, le të hedhim kurorën në këmbët e Tij dhe të thërrasim, “Jo unë, por hiri i Perëndisë që ishte me mua!”
16 gusht-mbrëmje
“Ne vetë që kemi frytet e para të Frymës.”
{Romakëve 8 :23}
Këtu është deklaruar zotërim aktual. Në këtë çast ne kemi frytet e para të Frymës. Kemi pendimin, atë gur të çmuar; besimin, atë perlë të çmueshme; shpresën, smeraldin qiellor; dhe dashurinë, rubinin e lavdishëm. Ne jemi tashmë “krijesa të reja në Jezu Krisht,” me anë të veprës së efektshme të Perëndisë Frymës së Shenjtë. Kjo quhet frytet e para sepse vjen e para. Ashtu si duajt e parë të të korrurave, po ashtu jeta shpirtërore dhe të gjithë hiret që zbukurojnë atë jetë, janë veprimet e para të Frymës të Zotit në shpirtrat tanë. Frytet e para ishin premtimi i të korrurave. Po aq shpejt sa izraeliti pati mblidhte kallinjtë e parë të pjekur, ai priste me parashikim të hareshëm kohën kur qerrja do të krikëllonte sipër duajve. Po kështu vëllezër, kur Perëndia na jep gjëra që janë të pastra, të dashura dhe me emër, ashtu si vepra e Frymës së Shenjtë, këto janë për ne paralajmëruesit e lavdisë së ardhshme.
Frytet e para ishin përherë të shenjta për Zotin dhe natyra jonë e re, me gjithë fuqitë e saj, është një gjë e kushtuar. Jeta e re nuk është e jona që t’ia ngarkojmë shkëlqesinë e saj meritës sonë; ajo është imazhi dhe krijesa e Krishtit dhe është e dekretuar për lavdinë e Tij. Por frytet e para nuk ishin të korrurat dhe veprat e Frymës brenda nesh në këtë çast nuk janë përfundimi—përkryerja ka për të ardhur më pas. Nuk duhet të mburremi për çfarë kemi arritur dhe kështu të konsiderojmë duajt e parë të të korrurave si i gjithë prodhimi i vitit; ne duhet të kemi uri dhe etje për drejtësinë dhe të gulçojmë për ditën e shpengimit të plotë. Lexues i shtrenjtë, këtë mbrëmje hape gojën dhe Perëndia do ta mbushë. Le të nxisë favori i tanishëm një kërkim të shenjtë për më tepër hir. Psherëti në vetvete për shkallë më të larta përkushtimi dhe Zoti jot do ti japi, sepse Ai është i aftë të bëjë shumë më tepër se çfarë kërkojmë ose mendojmë.
17 gusht-mëngjes
“Mirësia e Perëndisë.”
{Psalmi 52 :8}
Përsiatni pak mbi mirësinë e Zotit. Është mirësi e dhembshur. Me një prekje të lehtë e të dashur, Ai shëron zemrat e thyera dhe fashon plagët e tyre. Ai është po aq i hirshëm në mënyrën e mirësisë së Tij sa edhe në përmbajtjen e saj. Është mirësi e madhe. Nuk ka asgjë të vogël me Perëndinë; mirësia e Tij është si Ai vetë—është e pafundme. Nuk mund ta masësh dot. Mirësia e Tij është aq e madhe sa u fal mëkate të mëdha mëkatarëve të mëdhenj, pas një kohe të gjatë, më pas i jep favore dhe privilegje të mëdha dhe na ngre lart në gëzime të mëdha në parajsën e madhe të Perëndisë të madh. Është mirësi e pamerituar, ashtu si në të vërtetë çdo mirësi e vërtetë duhet të jetë, sepse mirësia e merituar nuk është veçse një emërtim i gabuar i drejtësisë. Mëkatari nuk ka asnjë të drejtë për t’u konsideruar me mirësi nga Shumëilarti; sikur rebeli të ishte dënuar aty për aty në zjarrin e përjetshëm ai do ta kishte merituar plotësisht dënimin dhe nëse çlirohet prej zemërimit,vetëm dashuria sovrane e gjen shkakun, sepse në vetë mëkatarin nuk gjendet asnjë shkak.
Është mirësi e pasur. Disa gjëra janë të mëdha, por kanë pak efektshmëri në vetvete, por kjo mirësi është një pije tonike për frymët tuaja të plogështa; një vajosje e artë për plagët tuaja që pikojnë gjak; një fashë hyjnore për kockat tuaja të thyera; një karrocë mbretërore për këmbët tuaja të lodhura; një kraharor dashurie për zemrën tuaj fërgëlluese. Është mirësi e larmishme. Ashtu si Buniani thotë, “të gjitha lulet në kopshtin e Perëndisë janë të dyfishta.” Nuk ka mirësi të vetmuar. Ti mund të mendosh se ke veçse një mirësi, por do të zbulosh se ajo është një tufë mirësish. Është mirësi e bollshme. Miliona e kanë marrë atë, prapëseprapë nuk është shteruar; është po aq e freskët, e plotë dhe falas sa përherë. Është mirësi e padështueshme. Nuk do të lërë kurrë. Do të jetë miku yt, mirësia do të jetë me ty në tundim për të të ruajtur; me ty në telashe për të mos lejuar që ti të zhytesh; me ty në jetë për të qenë drita dhe jeta e fytyrës tënde; dhe me ty në vdekje për të qenë gëzimi i shpirtit tënd kur ngushëllimi i kësaj bote zmbrapset me shpejtësi.
17 gusht-mbrëmje
“Kjo sëmundje nuk është për vdekje.”
{Gjoni 11:4}
Nga fjalët e Zotit tonë mësojmë se ka një kufi për sëmundjen. Këtu ka një “për” ku kufizohet qëllimi i saj përfundimtar dhe përtej së cilës ajo nuk mund të shkojë. Llazari mund të përjetonte vdekjen, por vdekja nuk kishte për të qenë përfundimi i sëmundjes së tij. Në çdo sëmundje Zoti i thotë dallgëve të dhimbjes, “Deri këtu do të shkosh, por jo më tej.” Qëllimi i tij i përcaktuar nuk është shkatërrimi, por mësimi i popullit të Tij. Urtësia var termometrin në gojën e furrës dhe rregullon nxehtësinë.
1. Kufiri është gjithëpërfshirës, gjë që është inkurajuese. Perëndia i Providencës ka kufizuar kohën, mënyrën, intensitetin, përsëritjen dhe pasojat e të gjitha sëmundjeve tona; çdo rrahje e pulsit është e dekretuar, çdo orë e pagjumë është e paracaktuar, çdo keqësim është i urdhëruar; çdo depresion fryme është i paranjohur dhe çdo rezultat shenjtërues është i synuar prej përjetësisë. Asgjë e madhe ose e vogël nuk i shpëton dorës urdhëruese së Atij që numëron flokët e kokës sonë.
2. Kufiri është urtësisht i përshtatur fuqisë sonë, fundit të synuar dhe hirit të përcaktuar. Shpirtdhembja nuk vjen rastësisht—pesha e çdo goditje të fshikullës është e matur me kujdes. Ai që nuk bën gabim në peshimin e reve dhe në shpalosjen e qiejve nuk bën shkarje në matjen e përbërësve që hyjnë në ilaçin e shpirtit. Ne nuk mund të vuajmë dot më tepër se ç’duhet ose të lehtësohemi atëherë kur është tepër vonë.
3. Kufiri është i caktuar butësisht. Thika e Kirurgut hyjnor kurrë nuk pret më thellë se sa është absolutisht e nevojshme. “Ai nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.” Zemra e një nëne thërret;”kurse fëmijën tim”, por asnjë nënë nuk është aq zemërdhembshur sa Perëndia ynë i hirshëm. Kur marrim parasysh se sa rebelë që jemi, është çudi që nuk drejtohemi me një gojëz më të mprehtë. Mendimi është plot me ngushëllim, se Ai që ka caktuar caqet e banesës sonë, ka caktuar gjithashtu caqet e mundimit tonë.
18 gusht-mëngjes
“Të huaj kanë hyrë në shenjtoren e shtëpisë të Zotit.”
{Jeremia 51 :51}
Për këtë shkak fytyrat e njerëzve të Zotit ishin të mbuluara me turp, sepse ishte një gjë e tmerrshme që njerëzit të mund të hynin në Vendin e Shenjtë, i rezervuar vetëm për priftërinjtë. Kudo përreth nesh ne shohim shkak të ngjashëm për hidhërim. Sa shumë njerëz të papërshpirtshëm po formohen me qëllim që të hyjnë në shërbesë! Çfarë mëkati i rëndë është ajo gënjeshtra solemne me anë të cilës gjithë popullata jonë është e përfshirë në mënyrë emërore në një Kishë Kombëtare! Sa e frikshme është që urdhëresat të mund t’i ngarkohen të pakthyerve në besim dhe se midis kishave më të ndriçuara të vendit tonë të mund të ketë një lëshim në disiplinë. Nëse mijrat që do të lexojnë këtë pjesë do të paraqisnin këtë çështje përpara Zotit Jezus këtë ditë, Ai do të ndërhyjë dhe do të shmangë të ligën që përndryshe do të vinte mbi Kishën e Tij. Të përziesh Kishën është njësoj si të ndotësh një pus, njësoj si të hedhësh ujë mbi zjarr, njësoj si të mbjellësh një tokë pjellore me gurë. Ah sikur ne të gjithë të kemi hir të ruajmë në vetë shtegun tonë pastërtinë e Kishës, duke qenë një asamble besimtarësh dhe jo një komb ose një bashkësi e pa shpëtuar njerëzish të pakthyer në besim.
Zelli jonë, sidoqoftë, fillon në shtëpi. Le të shqyrtojmë vetveten përsa i përket së drejtës sonë për të ngrënë në tryezën e Zotit. Le të kujdesemi për të parë nëse kemi veshje dasme, që vetë ne të mos të jemi furacakë në shenjtoret e Zotit. Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur; udha është e vështirë dhe porta e ngushtë. Oh çfarë hiri të shkosh tek Jezusi ashtu si duhet, me besimin e një të zgjedhuri të Perëndisë. Ai që goditi Uzën pasi ky preku arkën, është shumë xheloz për dy urdhëresat e tij; si një besimtar i vërtetë mund t’i afrohem lirisht, si një i huaj nuk duhet t’i prek në mënyrë që të mos vdes. Hetimi i zemrës është detyra e të gjithë atyre që janë të pagëzuar ose që vijnë në tryezën e Zotit. “Më heto, o Perëndi dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.”
18 gusht-mbrëmje
“I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.”
{Marku 15 :23}
Një e vërtetë e artë fshihet në faktin se Shpëtimtari ynë e largoi prej buzëve të Tij kupën e verës të përzier me mirrë. Në lartësitë e qiellit Biri i Perëndisë qëndroi prej së lashti dhe tek shikonte poshtë mbi globin tonë Ai llogariti zbritjen e gjatë në thellësirat më të fundit të mjerimit njerëzor; Ai llogariti të gjithë masën e të gjithë agonive që shlyerja do të kërkonte dhe nuk hoqi as dhe një jotë. Ai përcaktoi në mënyrë solemne se për të ofruar një sakrificë shlyese të mjaftueshme, Ai duhet të përshkonte të gjithë rrugën, nga më e larta në më të ulëtën, prej fronit të lavdisë së lartë te kryqi i dhimbjes më të thellë. Kjo kupë me mirrë, me efektin e saj mpirës, do ta ndalonte për pak prej cakut më të skajshëm të mjerimit, prandaj Ai e refuzoi atë. Ai nuk do të hiqte dorë prej gjithçkaje që pati ndërmarrë për të vuajtur për popullin e Tij.
Ah, sa shumë nga ne kanë dëshiruar me zjarr që dhembjet tona të qetësoheshin, gjë që do të kishte qenë e dëmshme për ne! Lexues, a nuk je lutur ndonjëherë me një zell të gjallë dhe këmbëngulës për t’u shkarkuar prej shërbimit të rëndë ose vuajtjes? Providenca mori prej teje dëshirën e syve të tu me një goditje. O besimtar i krishterë, nëse do të dëgjoje këto fjalë, “nëse kështu dëshiron që ai i shumë i dashuri jot të jetojë,atëherë Perëndia do të çnderohej ;” a do ta kishe larguar dot tundimin dhe të thoje, “U bëftë vullneti yt ?” Oh, është e ëmbël të jesh gati të thuash, “Zoti im, nëse për arsye të tjera nuk kam nevojë të vuaj, nëse mund të të nderoj më shumë me vuajtjet e mia dhe nëse humbja e gjithçkaje që zotëroj mbi këtë tokë do të sillte lavdi, atëherë le të jetë kështu. Refuzoj mirëqenien, nëse ndërhyn në udhën e nderit Tënd.” Oh, le të ecim më shumë në gjurmët e Zotit tonë, duke duruar me gëzim mundimin për hir të Tij, duke hedhur tutje menjëherë dhe vullnetarisht kujdesin për veten dhe mirëqenien kur kjo do të ndërhynte me mbarimin e veprës që Ai na ka dhënë të kryejmë. Hir i madh nevojitet, por hir i madh jepet.
19 gusht-mëngjes
“Ai do të mbetet për të kullotur (ushqyer) kopenë e Tij me pushtetin e Zotit.”
{Mikea 5:4}
Mbretërimi i Krishtit në Kishën e Tij është një mbretërim i një mbreti bari. Ai ka epërsi, por është epërsia e një bariu të urtë dhe të butë mbi tufën e Tij të dashur dhe në nevojë; ai urdhëron dhe fiton bindjen, por është bindja e vullnetshme e deleve të përkujdesura, bindje që i jepet me gëzim Bariut të tyre të dashur, zërin e të Cilit e njohin aq mirë. Ai sundon me forcën e dashurisë dhe energjinë e mirësisë.
Mbretëria e Tij është praktike në karakterin e saj. Është thënë, “Ai do të mbetet për të ushqyer.” Kreu i madh i Kishës i është vënë punës me zell për të furnizuar popullin e Tij. Ai nuk ulet mbi fron për të mos bërë asgjë, nuk mban një skeptër pa e përdorur për të sunduar. Jo, Ai do të mbetet për të ushqyer. Shprehja “ushqej,” në origjinal është si ajo në greqisht, që do të thotë kullot, të bësh gjithçka që pritet prej një bariu; të drejtosh, të jesh vigjilent, të ruash, të ripërtërish, të kujdesesh, të ushqesh gjithashtu.
Mbretëria e Tij është e vazhdueshme në kohëzgjatjen e saj. Është e thënë, “Ai do të mbetet për të ushqyer”; nuk është thënë,”Ai do të ushqejë tani për tani dhe më pas do të largohet”; nuk është thënë, “Një ditë Ai do të sigurojë një zgjim të Kishës dhe më pas ditën tjetër do të lërë Kishën e tij djerrë.” Sytë e Tij nuk dremisin kurrë dhe duart e Tij nuk pushojnë kurrë; zemra e Tij nuk pushon kurrë të rrahë me dashuri dhe shpatullat e Tij nuk lodhen kurrë ndërsa mbajnë barrët e popullit të Tij.
Mbretëria e Tij është efektshmërisht e fuqishme në veprimin e saj; “Ai do të kullosë me pushtetin e Jehovait.”Aty ku është Krishti, është Perëndia; dhe çfarë do që bën Krishti është vepra e Shumëtëlartit. Oh! Është një e vërtetë e gëzueshme të konsiderosh se Ai që qëndron sot për të përfaqësuar interesat e popullit të Tij është me të vërtetë me të vërtetë Perëndi, para të Cilit çdo gju do të përulet. Të lumtur jemi ne që i përkasim një bariu të tillë; natyra e Tij njerëzore shoqërohet me ne dhe natyra e Tij hyjnore na mbron. Le të adhurojmë dhe të përulemi para Tij si populli i kullotës së Tij.
19 gusht-mbrëmje
“Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi sepse Ti je kështjella ime.”
{Psalmi 31 :4}
Armiqtë tanë shpirtërorë janë të racës së nepërkës dhe kërkojnë të na kapin në kurth me dinakëri. Lutja përpara nesh nënkupton mundësinë që një besimtar të kapet në kurth si një zog. Gjahtari e bën punën e tij aq me shkathtësi, sa të thjeshtët rrethohen shpejt prej rrjetës së tij. Teksti kërkon që edhe prej rrjetave të satanit robërit të mund të çlirohen; ky është një peticion i duhur dhe që mund të realizohet; prej mesit të nofkave të luanit dhe prej barkut të ferrit, dashuria e përjetshme mund të shpëtojë shenjtorin. Mund të ketë nevojë për një tërheqje të fortë për të shpëtuar një shpirt prej rrjetës së tundimeve dhe një tërheqje të fuqishme për të nxjerrë një njeri prej kurtheve të dinakërisë keqdashëse, por Zoti është i zoti për çdo urgjencë, madje edhe ato rrjeta të gjahtarit të vendosura më me zotësi nuk do të mundin kurrë të mbajnë të zgjedhurit e Tij. Mjerë ata që janë të shkathët në vënien e kurtheve; ata që tundojnë të tjerët do të shkatërrojnë vetveten.
“Sepse Ti je kështjella ime.” Çfarë ëmbëlsie e pashprehshme gjendet në këto pak fjalë! Sa me gëzim mund t’i bëjmë ballë dërrmimit dhe me sa hare ne mund të durojmë vuajtjet, ndërsa mund të kapemi fort te forca qiellore. Forca hyjnore do të bëj copë copë të gjitha instrumentet e armikut, do të ngatërrojë synimet e tyre dhe do të zhgënjejë rrengjet e tyre të poshtra; është një njeri i lumtur ai që ka një fuqi të tillë të pashoqe në krahun e tij. Vetë forca jonë pak do të na shërbejë kur është e zënë ngushtë në rrjeta tinëzie të ulëta, por fuqia e Zotit është përherë e vlefshme; ne nuk kemi veçse ta thërrasim dhe do ta gjejmë pranë. Nëse me anë të besimit ne po varemi vetëm mbi forcën e Perëndisë të fuqishëm të Izraelit, ne mund të përdorim përkrahjen tonë të shenjtë si një argument në përgjërimin tonë.
“Zot, përherë e më shumë kërkojmë fytyrën tënde :
Jemi të tunduar, të varfër dhe të dobët;
Na ruaj me zemra të përulta dhe të butë.
Mos na lër të rrëzohemi. Mos na lër të rrëzohemi.”
20 gusht-mëngjes
“Këngëtari i ëmbël i Izraelit.”
{2 Samueli 23 :1}
Midis gjithë shenjtorëve me jetët të shënuara në Shkrimin e Shenjtë, Davidi zotëron një eksperiencë të një karakteri nga më të mahnitshmin, më të larmishmin, më mësimdhënësin. Në jetën e tij ne hasim mundime dhe tundime që nuk gjenden, si një e tërë, në shenjtorë të tjerë të kohëve të vjetra dhe prandaj ai është karakteri më sugjestiv i Zotit tonë. Davidi njohu mundimet e të gjitha llojeve dhe situatave të njeriut. Mbretërit kanë telashet e tyre dhe edhe Davidi veshi një kurorë; fshatari ka hallet e tij dhe edhe Davidi përdori një kërrabë bariu; shtegtari ka shumë vështirësi dhe edhe Davidi qëndroi në shpellat e En-Gedit; kapiteni ka vështirësitë e tij dhe edhe Davidit, bijtë e Tserujahut iu dukën shumë të rreptë. Psalmisti u vu në provë edhe nga shokët e tij, këshilltari i tij Arshitopel e braktisi , “Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje.” Armiqtë e tij më të këqij ishin ata të vetë shtëpisë së tij; fëmijët e tij ishin dhimbja e tij më e madhe.
Tundimet e varfërisë dhe të pasurisë, e nderit dhe të qortimit, e pasurisë dhe dobësisë, të gjithë e provuan fuqinë e tyre mbi të. Ai pati tundime prej jashtë për të trazuar paqen e tij dhe prej brenda për të prishur gëzimin e tij. Davidi sa shpëtonte prej një mundimi binte në një tjetër; sa dilte prej një stine shkurajimi dhe alarmi, sillej përsëri në thellësirat më të ulëta dhe të gjitha dallgët e Perëndisë dhe valomat kaluan sipër tij. Është ndoshta prej këtij shkaku që psalmet e Davidit janë kaq universalisht kënaqësia e të krishterëve me përvojë. Çfarëdo qoftë gjendja jonë, qoftë në lartësim ose në depresion, Davidi i ka përshkruar me saktësi emocionet tona. Ai ishte një profesor i zotë i zemrës së njeriut, sepse ishte mësuar në më të mirën e shkollave—shkolla e ndijimit me zemër, eksperiencë personale. Ndërsa mësohemi në të njëjtën shkollë, ndërsa rritemi në hir dhe në moshë, i vlerësojmë gjithnjë e më shumë psalmet e Davidit dhe na duken si “kullota të blerta.” Shpirti im, le të të gëzojë dhe të të këshillojë këtë ditë eksperienca e Davidit.
20 gusht-mbrëmje
“Ata e përforcuan Jeruzalemin deri në Murin e Gjerë.”
{Nehemia 3:8}
Qytetet e fortifikuara mirë kanë mure të gjëra dhe po kështu i pati Jeruzalemi në lavdinë e tij. Jeruzalemi duhet, në të njëjtën mënyrë, të jetë i rrethuar dhe i ruajtur prej një muri të gjerë të mospërshtatshmërisë me botën dhe të ndarjes prej zakoneve dhe frymës së saj. Prirja e kohës ku jetojmë hedh poshtë rrethimin e shenjtë dhe e bën dallimin midis kishës dhe botës thjesht emërore. Besimtarët e deklaruar nuk janë më gjatë të disiplinuar dhe puritanë, literaturë e dyshimtë kalon dorë më dorë, kohëzënie të kota i lejohen vetes rëndomtë dhe një moskokëçarje e përgjithshme kërcënon të lërë popullin e veçantë të Zotit pa ato veçanti që e ndajnë atë prej mëkatarëve. Do të jetë një ditë e keqe për kishën dhe botën kur ky amalgam do të bëhet i plotë dhe bijtë e Perëndisë dhe bijat e njeriut do të jenë si një i vetëm; atëherë kjo do të paralajmërojë një tjetër përmbytje zemërimi. Lexues i dashur, le të jetë qëllimi jot në zemër, në fjalë, në veshje, në veprim për të mbajtur murin e gjerë, duke kujtuar se miqësia e kësaj botë është armiqësi kundër Perëndisë.
Muri i gjerë siguronte një vend të këndshëm për banuesit e Jeruzalemit, prej së cilit ato mund të shijonin pamje të vendit rreth e përqark. Kjo na kujton urdhërimet tepër të gjera të Zotit tonë, ku ne ecim në liri në shoqërim me Jezusin, duke parë nga sipër vendet e tokës dhe duke vështruar drejt lavdive të qiellit. Të ndarë prej botës dhe duke i mohuar vetvetes çdo papërshpirtshmëri dhe epshet mishore, prapëseprapë ne nuk jemi në burg, as të kufizuar brenda kufijsh të ngushtë; jo, përkundrazi, ne ecim në liri, sepse mbajmë parimet e Tij. Eja, lexues, këtë mbrëmje ec me Perëndinë tënd në statutet e Tij. Ashtu si shoku takon shokun mbi murin e qytetit, po ashtu tako Perëndinë tënd në rrugën e lutjes së shenjtë dhe përsiatjes. Ke të drejtën të kalosh fortifikatat e shpëtimit, sepse ti je një njeri i lirë i qytetit mbretëror, një qytetar i metropolit të universit.
21 gusht-mëngjes
“Ai që vadit do të vaditet gjithashtu.”
{Fjalët e urta 11:25}
Këtu na mësohet mësimi i madh, se për të marrë, duhet të japim; se për të mbledhur, duhet të shpërndajmë; se për të bërë vetveten të lumtur, duhet të bëjmë të tjerët të lumtur; dhe në mënyrë që të bëhemi të fuqishëm shpirtërisht, ne duhet të kërkojmë të mirën shpirtërore të të tjerëve. Duke vaditur të tjerët ne vaditim vetveten. Si? Përpjekjet tona për të qenë të dobishëm, shfaqin fuqitë tona për dobishmëri. Ne kemi talente të fshehura dhe aftësi në dremitje, që sillen në dritë me anë të ushtrimit. Fuqia jonë për punë na është e fshehur, derisa ne guxojmë të luftojmë betejat e Zotit, ose të ngjisim malet e vështirësisë. Ne nuk e dimë se sa dashamirësi të butë zotërojmë derisa përpiqemi të thajmë lotët e së vesë dhe të lehtësojmë dhimbjen e jetimit. Ne shpesh zbulojmë se duke u përpjekur të mësojmë të tjerët, fitojmë mësim për veten tonë.
Oh, çfarë mësimesh të hirshme disa nga ne kanë mësuar në shtratin e të sëmurëve! Ne shkuam për t’u mësuar Shkrimet, u larguam duke u skuqur se dinim aq pak mbi to. Në bashkëbisedimin tonë me shenjtorët e varfër, ne na mësohet rruga e Perëndisë më përsosmërisht për veten tonë dhe fitojmë një mprehtësi më të thellë në të vërtetën hyjnore. Kështu që duke vaditur të tjerët kjo na bën të përulur. Ne zbulojmë se sa shumë hir gjendet atje ku nuk e kishim kërkuar; dhe sa shumë shenjtori i varfër mund të na tejkalojë në njohuri. Ngushëllimi ynë gjithashtu rritet duke punuar për të tjerët. Ne përpiqemi t’i gëzojmë dhe ngushëllimi e bën të hareshme zemrën tonë. Ashtu si dy burrat në borë; njëri fërkonte gjymtyrët e tjetrit për ta ruajtur që të mos vdiste dhe duke bërë kështu e mbajti vetë gjakun e tij në qarkullim dhe shpëtoi vetë jetën e tij. E shkreta e ve e Sareptës dha prej furnizimit të saj të paktë një racion për nevojat e profetit dhe prej asaj dite ajo nuk njohu kurrë se çfarë ishte nevoja. Jep pra dhe do të të jepet, një masë e mirë, e ngjeshur dhe gufuese.
21 gusht-mbrëmje
“Nuk u kam thënë pasardhësve të Jakobit: “më kërkoni kot .”
{Isaia 45:19}
Ne mund të fitojmë shumë lehtësim duke konsideruar atë që Perëndia nuk ka thënë. Atë që Ai ka thënë është pashprehimisht plot ngushëllim dhe kënaqësi; atë që Ai nuk ka thënë nuk është më pak e pasur në ngushëllim. Ishte një prej këtyre “nuk ka thënë”që e ruajti mbretërinë e Izraelit në ditët e Jeroboamit birin e Joasit, sepse “Zoti nuk tha se Ai do të fshinte emrin e Izraelit poshtë qiejve.” {#2 Mbretërit 14:27} Në tekstin tonë ne kemi një siguri se Perëndia do t’i përgjigjet lutjes, sepse “Ai nuk i ka thënë pasardhësve të Izraelit, më kërkoni kot.” Ju që shkruani gjëra të hidhura kundër vetvetes duhet të kujtoni se, le të thonë dyshimet dhe druajtjet e juaja çfarë të duan, nëse Perëndia nuk ju ka shkëputur prej mëshirës, nuk ka vend për dëshpërim; edhe zëri i ndërgjegjes peshon pak nëse nuk shoqërohet prej zërit të Perëndisë. Çfarë Perëndia ka thënë, dridhu prej kësaj! Mirëpo mos vuaj prej përfytyrimeve tuaja të kota që të kaplojnë me dekurajim dhe dëshpërim mëkatar.
Shumë persona të ndrojtur janë pezmatuar prej dyshimit se mund të ketë diçka në dekretet e Perëndisë që i ndan prej shpresës, por këtu është një refuzim i plotë i kësaj frike trazuese, sepse asnjë kërkuesi të vërtetë nuk mund t’i dekretohet zemërimi. “Unë nuk kam folur fshehtas në një cep të errët të dheut; nuk kam thënë;” madje edhe në sekretin e dekretit tim të pahulumtueshëm;” Më kërkoni kot.” Perëndia ka zbuluar qartë se Ai do të dëgjojë lutjen e atyre që e kërkojnë Atë dhe kjo deklaratë nuk mund të shkelet. Ai ka folur kaq me bindje, kaq me vërtetësi, kaq me drejtësi, sa nuk mund të ketë vend për dyshim. Ai nuk shfaq mendimet e Tij në fjalë të pakuptueshme, por Ai flet qartë dhe me bindje, “Kërko dhe do të marrësh.” Beso, o njeri i dridhur, këtë të vërtetë të sigurtë—ajo lutje duhet dhe do të dëgjohet dhe se kurrë, madje edhe në sekretet e përjetësisë, Zoti kurrë nuk i ka thënë shpirtit që jeton, “Më kërkoni kot.”
22 gusht-mëngjes
“Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t’i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.”
{Kantiku i kantikëve 5:8}
E tillë është e folura e besimtarit duke gulçuar për shoqërimin e tanishëm me Jezusin, ai dëshiron me zjarr Zotin. Shpirtrat e hirshëm nuk janë kurrë në paqe në mënyrë të përkryer përveçse kur janë në një gjendje familjariteti me Krishtin, sepse kur janë larg prej Tij ata e humbin paqen e tyre. Sa më afër Atij, aq më afër qetësisë së përsosur të qiellit; sa më afër Atij, më e mbushur është zemra, jo vetëm me paqe, por me jetë, forcë dhe gëzim, sepse të gjitha këto varen nga lidhja e vazhdueshme me Jezusin. Atë që dielli është për ditën, atë që hëna është për natën, atë që vesa është për mëngjesin, i tillë është Jezu Krishti për ne. Atë që buka është për të uriturin, veshja për të zhveshurin, hija e shkëmbit të madh për udhëtarin në një tokë të largët, i tillë është Jezu Krishti për ne; dhe prandaj, nëse nuk jemi ndërgjegjshmërisht një me Të, nuk është për t’u habitur nëse fryma jonë thërret me fjalët e këngës “unë ju lutem shumë o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t’i thoni?
I thoni se jam e sëmurë nga dashuria. Kjo dëshirë e zjarrtë për Jezusin ndiqet nga një bekim: “Bekuar janë ato që kanë uri dhe etje për drejtësinë”; dhe prandaj, tepër të bekuar janë ata që kanë etje për të Drejtin. I bekuar është ai që ka uri përderisa vjen prej Perëndisë; nëse nuk mund të kem në lulëzim të plotë bekimin e të qenurit i mbushur, do të kërkoja të njëjtin bekim në sythin e tij të ëmbël duke dëshiruar me zjarr derisa të jem i mbushur me Krishtin. Nëse nuk mund të ushqehem me Jezusin, të kesh uri dhe etje për Të është dera ngjitur me qiellin. Ka një shenjtëri në lidhje me këtë uri përderisa shkëlqen midis lumturive të Zotit tonë. Mirëpo bekimi përfshin një premtim. Këta të uritur “do të mbushen”me atë që dëshirojnë. Nëse Krishti na bën kështu ta dëshirojmë, Ai me siguri do të kënaqë atë dëshirë të fortë dhe kur Ai vjen me të vërtetë tek ne dhe me të vërtetë do të vijë, oh, sa e ëmbël do të jetë!
22 gusht-mbrëmje
“Pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit.”
{Efesianëve 3 :8}
Zoti im ka pasuri përtej llogaritjes së aritmetikës, matjes së arsyes, ëndrrës së përfytyrimit, ose gojëtarisë së fjalëve. Ato janë të papërshkrueshme! Ti mund të kërkosh, të studiosh dhe të peshosh, por Jezusi është një Shpëtimtar më i madh se sa beson se është kur mendimet e tua janë nga më të madhërishmet. Zoti im është më i gatshëm të falë se sa ti je gati të mëkatosh, më i gatshëm të falë se sa ti je gati të shkelësh. Mjeshtri im është më i vullnetshëm të kënaqë nevojat e tua se sa ti je i vullnetshëm për t’i rrëfyer ato. Kurrë mos tolero mendime të ulëta të Zotit tim Jezus. Kur ti vë kurorën në kokën e Tij, ti do ta kurorëzosh vetëm me argjend atëherë kur ai meriton ar.
Mjeshtri im ka pasuri lumturie për të të dhënë. Ai mund të të bëj të shtrihesh në kullota të blerta dhe të të udhëheqë pranë ujërave të qeta. Nuk ka muzikë si muzika e fyellit të Tij, kur Ai është Bariu dhe ti je delja dhe shtrihesh në këmbët e Tij. Nuk ka dashuri si dashuria e Tij, as toka ose qielli nuk e barazojnë. Të njohësh Krishtin dhe të gjendesh në Të—oh! kjo është jeta, ky është gëzimi, kjo është palcë dhe dhjam, verë e rafinuar. Zoti im nuk i trajton shërbëtorët e Tij në mënyrë harbute; Ai u jep atyre ashtu si një mbret i jep një mbreti; Ai u jep atyre dy parajsa—një parajsë poshtë duke shërbyer këtu dhe një parajsë lart duke u gëzuar në Të përherë. Pasuritë e Tij të papërshkrueshme do të njihen më mirë në përjetësinë. Ai do të japë gjatë rrugës për në parajsë gjithçka që keni nevojë; vendi yt i mbrojtjes do të jetë shkëmbinjtë, do të jipet buka dhe uji do të sigurohet, por është atje, atje, ku ti do të dëgjosh këngën e atyre që triumfojnë, thirrmën e atyre që festojnë dhe do të kesh një pamje ballë për ballë të Zotit të lavdishëm dhe të dashur. Pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit! Kjo është melodia për këngëtarët e tokës dhe kënga për harpat e qiellit. Zot, na mëso gjithnjë e më shumë për Jezusin dhe ne do t’u shpallim të tjerëve lajmin e mirë.
23 gusht-mëngjes
“Nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji.”
{Isaia 65:19}
Të përlëvduarit nuk qajnë më, sepse të gjitha shkaqet e jashtme të dhembjes kanë shkuar. Në qiell nuk ka miqësi të thyer, ose perspektivë të vruguar. Varfëria, zia e bukës, rreziku, persekutimi dhe shpifja, janë të panjohura atje. Asnjë dhimbje nuk dëshpëron, asnjë mendim për vdekjen ose humbjen e një të afërmi nuk trishton. Ata nuk qajnë më, sepse janë të shenjtëruar në mënyrë të përkryer. Asnjë “zemër e ligë e mosbesimit” nuk i shtyn të largohen prej Perëndisë të gjallë; ata janë pa të metë para fronit të Tij dhe janë plotësisht sipas imazhit të Tij. Ata që kanë pushuar së mëkatuari mund të pushojnë të mbajnë zi. Ata nuk qajnë më, sepse çdo frikë ndryshimi ka kaluar. Ata e dinë se janë përjetësisht të sigurtë. Mëkati është i përjashtuar dhe ata janë të siguruar. Ata banojnë brenda një qyteti që nuk do të preket kurrë nga stuhia; ata qëndrojnë nën një diell që nuk do të perëndojë kurrë; ata pinë prej një lumi që nuk do të thahet kurrë; ata këpusin fruta prej një peme që nuk do të vyshket kurrë. Cikle të panumërta mund të përsëriten, por përjetësia nuk do të mbarojë dhe ndërsa përjetësia zgjat, pavdekshmëria dhe bekueshmëria e tyre do të bashkëjetojë me të. Ata janë përjetë me Zotin.
Ata nuk qajnë më, sepse çdo dëshirë është e përmbushur. Ata nuk mund të dëshirojnë për ndonjë gjë që nuk e kanë në zotërim. Syri dhe veshi, zemra dhe dora, gjykimi, përfytyrimi, shpresa, dëshira, vullneti, të gjitha aftësitë janë tërësisht të përmbushura; dhe edhe pse idetë tona janë të papërkryera në lidhje me gjërat që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë, prapëseprapë ne e dimë mjaftueshëm, me anë të zbulesës të Frymës, se shenjtorët lart janë tepër të bekuar. Gëzimi i Krishtit që është një plotësi e pafund kënaqësie, është në ta. Ata lahen në detin e pafund e pa brigje të lumturisë së pafundme. E njëjta mbetje e gëzueshme tepron për ne. Ndoshta nuk mund të jetë dhe aq larg. Edhe pak kohë dhe shelgu lotues do të ndërrohet me degën e palmës fitimtare dhe pikat e vesës së hidhërimit do të shndërrohen në perla lumnie të përjetshme. “Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin me këto fjalë.”
23 gusht-mbrëmje
“Që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit.”
{Efesianëve 3 :17}
Përtej mase është e dëshirueshme që ne, si besimtarë, të kemi personin e Jezusit vashdueshmërisht përpara nesh, për të ndezur dashurinë tonë kundrejt Tij dhe për të rritur njohurinë tonë për Të. Dashtë Perëndia që lexuesit e mi të kenë hyrë të gjithë si shkollarë të zellshëm në kolegjin e Jezusit, studentë të Corpus Christi, ose trupit të Krishtit, të vendosur për të arritur një shkallë të lartë në mësimin e kryqit. Mirëpo që të kesh Jezusin përherë afër, zemra duhet të jetë e mbushur me Të, duke gufuar me dashurinë e Tij, madje duke brufulluar; prandaj apostulli lutet “që Krishti të banojë në zemrat tuaja.” Shiko sa afër ai do të donte që Jezusi të ishte! Ti nuk mund të kesh diçka më afër teje se sa kur e ke në vetë zemrën. “Që Ai të banojë” ; jo që Ai t’ju thërrasë hera herës, ashtu si një vizitor i rastësishëm hyn në një shtëpi dhe qëndron për një natë, por që Ai të banojë; që Jezusi të bëhet Zoti dhe Zotëruesi i qënies tënde më të brendshme, për të mos u larguar më kurrë.
Vëre fjalët—-që Ai të mund të banojë në zemrën tënde, më e mira dhomë kjo e shtëpisë së njerëzimit; jo vetëm në mendimet, por në ndjenjat e tua; jo thjesht në përsiatjen e mendjes, por në emocionet e zemrës tuaj. Ne duhet të gulçojmë pas dashurisë të një karakteri të qëndrueshëm për Krishtin, jo një dashuri që ndizet dhe më pas shuhet në errësirën e shkëndijave të fundit, por një flakë e vazhdueshme, e ushqyer nga një lëndë djegëse e shenjtë, si zjarri që nuk shuhej kurrë mbi altarin. Kjo nuk mund të përmbushet përveçse me besim. Besimi duhet të jetë i fortë, përndryshe dashuria nuk mund të jetë e zjarrtë; rrënja e lules duhet të jetë e shëndetshme, përndryshe nuk mund të presim që lulëzimi të jetë i këndshëm. Besimi është rrënja e zambakut dhe dashuria është lulëzimi i zambakut. Tani, lexues, Jezusi nuk mund të jetë në dashurinë e zemrës tënde nëse nuk ke një mbërthim të fortë të Tij me anë të besimit të zemrës tënde; dhe prandaj, lutu që të mund t’i mirëbesosh përherë Krishtit në mënyrë që ta duash përherë. Nëse dashuria është e ftohtë, me siguri se besimi po bie.
24 gusht-mëngjes
“Kush do të hapë të çarën do të ngjitet para tyre.”
{Mikea 2 :13}
Përderisa Jezusi ka kaluar para nesh, gjërat nuk mbeten ashtu siç do të kishin mbetur nëse Ai nuk do të kishte kaluar nga ajo udhë. Ai ka mposhtur çdo armik që pengonte udhën. Gëzohu tani ti luftëtar zemërlëshuar. Jo vetëm që Krishti eci në atë rrugë, po më tepër Ai ka vrarë armiqtë e tu. A i ke tmerr mëkatet?Ai i ka gozhduar në kryq. A e druan vdekjen? Ai ka qenë vdekja e Vdekjes. A e ke frikë ferrin? Ai e ka zënë hyrjen e tij për secilin nga bijtë e Tij; ata nuk do të shohin kurrë humnerën e shkatërrimit. Çfarëdo armiqsh të jenë para të krishterëve, ata janë të gjithë të mposhtur. Ata janë luanë, por dhëmbët e tyre janë të thyer; ata janë gjarpërinj, por dhëmbët helmues të tyre janë shkulur; ata janë lumenj, por janë me ura dhe të cekët; ka flakë, por ne veshim rrobën e pashoqe që na bën të pacenueshëm nga zjarri. Shpata që është farkëtuar kundra nesh është tashmë e shytur; instrumentet e luftës që armiku po përgatit kanë humbur tashmë majuckën e tyre. Perëndia ka larguar në personin e Krishtit të gjithë fuqinë që ndonjë gjë mund të ketë për të na dëmtuar.
Kështu pra, ushtria mund të marshojë e sigurtë përpara dhe ju mund të vazhdoni me gëzim shtegtimin tuaj, sepse të gjithë armiqtë tuaj janë mposhtur me përpara. Çfarë duhet të bëni përveçse të ecni përpara për të marrë trofeun? Ata janë të mundur, ata janë të mposhtur; gjithë atë që ke për të bërë është të ndash plaçkën. Është e vërtetë se ti shpesh do të hysh në betejë, por dyluftimi jot do të jetë kundër një armiku të mposhtur. Koka e tij është e dërrmuar; ai mund të përpiqet të të dëmtojë, por forca e tij nuk do të jetë e mjaftueshme për qëllimin e tij keqdashës. Fitorja jote do të jetë e lehtë dhe thesari yt do të jetë përtej çdo llogaritje.
Shpall me zë të lartë famën e Shpëtimtarit ;
Që mban emrin e mrekullueshëm të Fitimtarit;
I ëmbël emër; i shkon mirë Atij;
Që mposht tokën, mëkatin, vdekjen dhe ferrin.
24 gusht-mbrëmje
“Në rast se një zjarr përhapet dhe shtrihet deri te ferrat kështu që digjet gruri në duaj ose gruri në këmbë ose ara, ai që ka ndezur zjarrin do ta lajë dëmin.”
{Eksodi 22:6}
Çfarë larje dëmi vallë mund të bëjë ai që hedh jashtë pishtarin e gabimit, ose qymyrin e shthurjes dhe i vë zjarrin e ferrit shpirtrave të njeriut? Faji është përtej çdo llogaritje dhe rezultati është i pandreqshëm. Nëse një keqbërës i tillë do të mund të falej dhe po të hidhte sytë mbrapa çfarë dhembje që do t’i shkaktonte, përderisa ai nuk mund të çbëjë të ligën që ka kryer! Një shembull i sëmurë mund të ndezë një zjarr që vitet e karakterit të ndrequr nuk mund ta fikin. Të djegësh ushqimin e njeriut është mjaft keq, por sa më keq akoma të shkatërrosh shpirtin! Mund të jetë e dobishme për ne të mendojmë se deri ku kemi qenë me faj në të kaluarën dhe të shqyrtojmë nëse, edhe në të tashmen, mund të ketë ligësi brenda nesh që priret t’i sjellë dëm shpirtrave të të afërmve tanë, miqve tanë dhe fqinjëve tanë.
Zjarri i zënkës është një e ligë e tmerrshme kur shpërthen në një Kishë të krishterë. Kur të kthyerit në besim shtohen dhe Perëndia përlëvdohet, xhelozia dhe lakmia kryejnë veprën e djallit me shumë efektshmëri. Atje ku gruri i artë ishte mbledhur në depo për të shpërblyer punën e Boazit të madh, zjarri i armikut vjen brenda dhe nuk lë gjë tjetër veç tym dhe një pirg të zi. Mjerë ata që sjellin skandalet. Mos ardhshin kurrë mes nesh, sepse edhe pse ne nuk mund të lajmë dëmin, me siguri do të jemi vuajtësit kryesorë nëse jemi shkelësit kryesorë. Ata që ushqejnë zjarrin meritojnë censurë të prerë, por ai që e ndez i pari është për t’u fajësuar më tepër. Zënka zakonisht lind mbi gjemba; ushqehet midis hipokritëve dhe pseudobesimtarëve të ulët në Kishë dhe më pas shkon midis të drejtëve, e fryrë prej erërave të ferrit dhe asnjë nuk e di ku e ka fundin. O ti Zot dhe dhënësi i paqes, na bëj paqësor dhe mos na lejo kurrë të ndihmojmë njeriun e zënkës, ose edhe pa dashur të shkaktojmë edhe ndarjen më të vogël midis popullit.
25 gusht-mëngjes
“Fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time.”
{Kantiku i kantikëve 2:3}
Në Shkrimin, flitet për besimin nën emblemën e të gjitha shqisave. Është shikim: “Shikoni te Mua dhe do të shpëtoheni.” Është dëgjim: “Dëgjo dhe shpirti jot do të jetojë.” Besimi është nuhatje; “Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie”; ”Emri Yt është një vaj i parfumuar i derdhur.” Besimi është prekje shpirtërore. Me anë të këtij besimi gruaja ndoqi nga mbrapa dhe çiku cepin e rrobës së Krishtit; dhe me anë kësaj ne prekim me dorë gjërat e fjalës së mirë së jetës. Besimi është gjithashtu shija e frymës. “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! po më të ëmbla se mjalti në gojën time.” Nëse një njeri nuk han mishin tim;” thotë Krishti; ”dhe nuk pin gjakun tim, nuk ka jetë në të.”
Kjo “shije” është besimi në një prej veprimeve të tij më të larta. Një prej shfaqjeve të para të besimit është dëgjimi. Ne dëgjojmë zërin e Perëndisë, jo vetëm me veshin e jashtëm, por me veshin e brendshëm; ne e dëgjojmë atë si Fjalën e Perëndisë dhe e besojmë si të tillë; ky është “dëgjimi” i besimit. Pastaj mendja jonë shikon të vërtetën ashtu si na paraqitet; domethënë, ne e kuptojmë atë, ne dallojmë domethënien e saj; ky është “shikimi” i besimit. Më pas ne zbulojmë çmueshmërinë e tij; ne fillojmë ta admirojmë dhe të zbulojmë sa erëmirë që është; ky është besimi në “nuhatje”. Më pas ne përvetësojmë hiret që janë të përgatitura për ne në Krishtin; ky është besimi në “prekjen” e tij. Pastaj vijnë gëzimet, paqja, kënaqësia, shoqërimi; që janë besimi në “shijen” e tij. Secili prej këtyre veprimeve të besimit është shpëtimtar. Të dëgjosh zërin e Krishtit në shpirt si zërin e vërtetë të Perëndisë do të na shpëtojë, por ajo që jep gëzim të vërtetë është aspekti i besimit sipas së cilit Krishti, me anë të një shijimi të shenjtë, banon përbrenda nesh dhe bëhet, me anë të përvetësimit të brendshëm dhe shpirtëror të ëmbëlsisë dhe çmueshmërisë së Tij, ushqimi i shpirtit tonë. Është atëherë kur ne “ulemi nën hijen e tij me kënaqësi të madhe,” dhe fryti i tij na duket i ëmbël.
25 gusht-mbrëmje
“Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.”
{Veprat 8:37}
Lexues i devotshëm, këto fjalë mund t’i përgjigjen skrupujve të tua në lidhje me urdhëresat. Ndoshta ti po thua, “duhet ta druaj pagëzimin; është një gjë kaq solemne të shpallësh veten të vdekur me Krishtin dhe të varrosur me Të. Nuk duhet të ndjehem i lirë të vij në tryezën e Zotit prej frikës se mos haj dhe pij mallkimin tim, duke mos dalluar trupin e Zotit.” Ah, njeri i dridhur e i gjorë, Jezusi të ka dhënë lirinë, mos ki frikë. Po të vinte një i huaj në shtëpinë tënde, ai do të qëndronte te dera; ose do të priste në korridor; ai as që nuk do ta kishte ndër mend të futet vjedhurazi në dhomën e ndenjes—ai nuk është në shtëpi, por fëmija jot ndihet shumë i lirë në shtëpi; po kështu është me fëmijën e Perëndisë. Një i huaj nuk mund të futet me forcë atje ku një fëmijë do të mund të guxonte. Kur Fryma e Shenjtë të ka dhënë të ndjesh Frymën e adoptimit, ti mund të vish pa frikë tek urdhëresat e krishtera.
E njëjta rregull vlen për privilegjet e brendshme të të krishterit. Ti mendon, kërkues i gjorë, se nuk të lejohet të gëzohesh me një gëzim të pashprehshëm dhe një lavdi të plotë; nëse do të lejoheshe të shkoje brenda derës së Krishtit, ose të uleshe në cepin e tryezës, do të ishe shumë i kënaqur. Ah ! por ti nuk do të kesh më pak privilegje se më të mëdhenjtë. Perëndia nuk bën dallim në dashurinë e Tij për fëmijët e Tij. Një fëmijë është një fëmijë për Të; Ai nuk do ta trajtojë si një shërbëtor të punësuar, por Ai do të festojë me viçin e dhjamur dhe do të ketë muzikë dhe vallëzime sikur ai kurrë të mos kishte dalë nga udha. Kur Jezusi vjen në zemër, Ai nxjerr autorizim të përgjithshëm për të qenë i gëzuar në Zotin. Asnjë zinxhir nuk mbahet në oborrin e Mbretit Jezus. Pranimi jonë në privilegje të plota mund të jetë i shkallëzuar, por është i sigurtë. Ndoshta lexuesi jonë po thotë ; “sa do të doja të gëzoja premtimet e Tij dhe të eci në liri në urdhërimet e Zotit tim.” “Nëse beson me gjithë zemrën tënde, ti mundesh.” Zgjidh zinxhirët e qafës tënde, o vajzë e zënë robinë, sepse Jezusi të bën të lirë.
26 gusht-mëngjes
“Ai ka vendosur besëlidhjen e Tij përjetë.”
{Psalm 111 :9}
Njerëzit e Zotit kënaqen në vetë besëlidhjen. Është një burim i padështueshëm ngushëllimi për ta sa herë që Fryma e Shenjtë i udhëheq në shtëpinë e gostisë dhe tund flamurin e Tij të dashurisë. Ata gjejnë ëndje të vështrojnë lashtësinë e asaj besëlidhje, duke kujtuar se para se ylli të njihte vendndodhjen e tij, ose planetët t’i vinin përqark orbitës së tyre, interesat e shenjtorëve ishin të sigurta në Jezu Krishtin. Është veçanërisht e këndshme për ta të kujtojnë sigurinë e besëlidhjes ndërsa përsiatin mbi “hirin e qëndrueshëm të premtuar Davidit.” Ata kënaqen duke e kremtuar atë si “të firmosur, të vulosur dhe që ka hyrë në fuqi, në të gjitha gjërat e rregulluar mirë.” I bën shpesh zemrat e tyre të zgjerohen me gëzim tek mendojnë mbi pandryshueshmërinë e saj, si një besëlidhje që as koha ose përjetësia, jeta ose vdekja, nuk do të mundin ta shkelin—një besëlidhje po aq e vjetër sa përjetësia dhe po aq e përjetshme sa Shkëmbi i kohërave.
Ata gëzohen gjithashtu të festojnë plotësinë e besëlidhjes së tyre, sepse shikojnë atje, të gjitha gjërat të siguruara për to. Perëndia është risku i tyre, Krishti shoku i tyre, Fryma Ngushëlluesi i tyre, toka banesa e tyre dhe qielli shtëpia e tyre. Ata shikojnë në të një trashëgimi e ruajtur dhe e patjetërsueshme për çdo shpirt që ka pjesë në veprën e moçme dhe të përjetshme të dhuratës së Tij. Sytë e tyre xixëlluan kur e panë atë si një zbulim thesar në Bibël, por oh! sa u kënaqën shpirtrat e tyre kur panë në vullnetin e fundit dhe testamentin e të afërmit të tyre hyjnor se u ishte lënë trashëgim atyre! Më veçanërisht, është kënaqësia e popullit të Perëndisë të vështrojë hirin e kësaj besëlidhje. Ata shikojnë se ligji u bë i pavlefshëm sepse ishte një besëlidhje veprash dhe varej nga merita, por këtë ata e dallojnë se është e vazhdueshme sepse hiri është baza, hiri është kushti, hiri është shtysa, hiri është fortifikata, hiri është themeli, hiri është gurkyçi. Besëlidhja është një thesar i pasur, një hambar ushqimi, një burim jete, një strehë shpëtimi, një kartë paqeje, një liman gëzimi.
26 gusht-mbrëmje
“Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.”
{Marku 9 :15}
Sa i madh ndryshimi midis Moisiut dhe Jezusit! Kur profeti i Horebit qe dyzet ditë mbi mal, ai pësoi një lloj shpërfytyrimi, kështu që pamja e tij shkëlqeu me një shkëlqim shumë të madh dhe ai vuri një vello mbi fytyrën e tij, sepse populli nuk mund të duronte të shikonte mbi lavdinë e tij. Nuk ndodhi kështu me Shpëtimtarin tonë. Ai u shpërfytyrua me një lavdi më të madhe se ajo e Moisiut dhe prapëseprapë, nuk është e shkruar se njerëzit u verbuan prej shkëlqimit të pamjes së Tij, por përkundrazi ata u mrekulluan dhe e përshëndetën duke vrapuar tek Ai. Lavdia e ligjit zmbraps, por lavdia më e madhe e Jezusit tërheq. Edhe pse Jezusi është i shenjtë dhe i drejtë, prapëseprapë ka aq shumë vërtetësi dhe hir të përzier me pastërtinë e Tij, sa mëkataret rendin drejt Tij të mrekulluar prej mirësisë së Tij, të magjepsur prej dashurisë së Tij; Atë e përshëndetin, bëhen dishepujt e Tij dhe e pranojnë si Zotin e tyre dhe Mjeshtrin e tyre.
Lexues, mund të jetë që pikërisht tani ti je i verbuar prej shkëlqimit rrëzëllues të ligjit të Perëndisë. Ti ndjen kërkesat e Tij në ndërgjegjen tënde, por nuk mund ta zbatosh dot në jetën tënde. Jo se gjen ndonjë të metë në ligj, përkundrazi, ligji nxit vlerësimin tënd më të thellë, megjithatë ti në asnjë mënyrë nuk tërhiqesh prej tij te Perëndia, por je në të kundërt i ngurtësuar në zemër dhe po priresh drejt dëshpërimit. Ah, zemër e gjorë! kthe sytë prej Moisiut, me gjithë shkëlqimin e tij prapësues dhe shiko te Jezusi, shkëlqyes me lavdi më afruese. Vështro plagët e Tij që pikojnë gjak dhe kokën e kurorëzuar me gjemba! Ai është Biri i Perëndisë dhe kështu që Ai është më i madh se Moisiu, por Ai është Zoti i dashurisë dhe prandaj më i dhimbshëm se ligjdhënësi. Ai mbajti zemërimin e Perëndisë dhe në vdekjen e Tij shfaqi më tepër drejtësinë e Perëndisë se sa Sinai në flakët e tij, por ajo drejtësi është përmbushur tashmë dhe këtej e tutje është rojtari i besimtarëve në Jezus. Shiko, mëkatar, Shpëtimtarin e gjakosur dhe tek ndjen tërheqjen e dashurisë së Tij, rend në krahët e Tij dhe do të shpëtohesh.
27 gusht-mëngjes
“Deri kur do të refuzojnë të besojnë.”
{Numrat 14:11}
Përpiqu me zellin më të madh për të lënë jashtë atë përbindësh mosbesimi. Aq e ç’nderon Krishtin, sa Ai do të tërheqë praninë e Tij të dukshme nëse e lëndojmë duke i lënë shteg mosbesimit. Është e vërtetë se është një bar i keq me fara që nuk mund t’i shkulim dot kurrë krejtësisht prej tokës, por ne duhet të synojmë rrënjët e tij me zell dhe këmbëngulje. Midis gjërave të urryeshme mosbesimi është për t’u pasur neveri më tepër. Natyra e tij e dëmshme është aq helmuese sa ai që e ushtron dhe ai mbi të cilin është i ushtruar dëmtohen që të dy prej tij. Në rastin tënd o besimtar! është tepër i ligë, sepse hiret e Zotit tënd në të kaluarën e rrisin fajin tënd ndërsa dyshon te Ai tani. Kur ti me të vërtetë dyshon Zotin Jezus, Ai me të drejtë mund të klithë; ”unë jam i shtypur poshtë jush, ashtu siç është e shtypur qerrja e mbushur me duaj.”Kjo është njësoj sikur të kurorëzosh kokën e Tij me gjembat e llojit më të mprehtë. Është shumë mizore për një grua të shumëdashur të mosbesojë një burrë të mirë dhe besnik. Mëkati është i panevojshëm, i pamend dhe i pajustifikueshëm.
Jezusi nuk ka dhënë edhe shkakun më të vogël për dyshim dhe është e rëndë të dyshohesh prej atyre ndaj të cilëve sjellja jonë është në mënyrë të pandryshueshme zemërdashur dhe e vërtetë. Jezusi është Biri i Shumë të Lartit; dhe ka pasuri të pakufishme; është e turpshme të dyshosh Plotfuqishmërinë dhe të mosbesosh mjaftueshmërinë e plotë. Bagëtia mbi mijëra kodra do të mjaftojë për urinë tonë më të madhe dhe hambarët e qiellit nuk kanë se si të zbrazen prej konsumit sonë. Nëse Krishti do të ishte veç një cisternë, ne do të mund ta shteronim shpejt, por kush mund të thajë një burim? Miriada frymësh kanë tërhequr furnizimet e tyre prej Tij dhe asnjë nuk ka murmuritur se ka mungesë në burimet e Tij. Larg pra me këtë mosbesim tradhtar gënjeshtar, sepse detyra e tij e vetme është të presë lidhjet e shoqërimit dhe të na bëjë të mbajmë zi për një Shpëtimtar që mungon. Buniani na thotë se mosbesimi ka “po aq jetë sa macja:” nëse është kështu, le të vrasim një jetë tani dhe të vazhdojmë punën derisa të ikin që të nëntat. Shporru ti tradhtar, zemra ime të ka neveri.
27 gusht-mbrëmje
“Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.”
{Psalmi 31:5}
Këto fjalë janë përdorur shpesh nga njerëz të shenjtë në orën e tyre të nisjes. Ne mund ti konsiderojmë ato me përfitim këtë mbrëmje. Objekti i përkujdesjes së njeriut besnik në jetë dhe vdekje nuk është trupi i tij ose pasuritë e tij, por fryma e tij; ky është thesari i tij i zgjedhur—nëse kjo është e sigurtë, çdo gjë është mirë. Çfarë është gjendja e vdekshme e krahasuar me shpirtin? Besimtari ia braktis shpirtin e tij dorës së Perëndisë; erdhi nga Ai, është i Tij, më përpara Ai e ka mbështetur atë, Ai është i aftë ta ruajë atë dhe është më se e përshtatshme që Ai ta rimarrë atë. Të gjitha gjërat janë të sigurta në dorën e Jehovait; atë që i besojmë Zotit do të jetë e sigurtë si sot ashtu dhe në atë ditën e ditëve drejt së cilës ne po nxitojmë. Është jetë e paqshme dhe vdekje e lavdishme të prehesh në përkujdesjen e qiellit. Në çdo kohë ne duhet t’ia besojmë gjithçka dorës besnike të Jezusit; atëherë, edhe pse jeta mund të varet në një fije peri dhe kundërshtitë mund të shumëzohen si rëra e detit, shpirti ynë do të banojë në mirëqenie dhe do të kënaqet në vende çlodhëse të qeta.
“Ti më shpengove o Zot, Perëndi e së vërtetës.” Shpengimi është një bazë e fortë për mirëbesimin. Davidi nuk e pati njohur Kalvarin ashtu si ne, por shpengimi tokësor e gëzoi atë; dhe a nuk do të na ngushëllojë më ëmbël shpengimi i përjetshëm? Çlirimet e kaluara janë kërkesa të forta për ndihmë të tashme. Atë që Zoti ka bërë do ta bëjë përsëri, sepse Ai nuk ndryshon. Ai është besnik ndaj premtimeve të Tij dhe i hirshëm kundrejt shenjtorëve të Tij; Ai nuk do t’i kthejë kurrizin popullit të Tij.
Edhe nëse më vret unë do të besoj,
Edhe prej pluhurit do të të lavdëroj,
Do të provoj dhe do të tregoj,
Dashurinë tënde të pashprehshme ndërsa e provoj.
Ti mund të ndreqësh dhe korrigjosh,
Por Ti nuk mund kurrë të lësh pas dore;
Përderisa çmimi shpengues është paguar,
Mbi dashurinë Tënde shpresa ime qëndron.
28 gusht-mëngjes
“Vaj për dritën.”
{Eksodi 25:6}
Shpirti im, sa shumë ke nevojë për këtë, sepse kandili jot nuk do të ndriçojë më gjatë pa të. Fitili jot do të nxjerrë tym dhe do të kthehet kundër teje nëse drita nuk është më dhe nuk do të jetë më nëse vaji mungon. Ti nuk ke burim vaji që del prej natyrës tënde njerëzore dhe prandaj ti duhet të shkosh te ato që shesin dhe blejnë për ty, ose përndryshe ashtu si virgjëreshat e pamend, ti duhet të thërrasësh, “Kandili im u fik.” Edhe llambat e kushtuara nuk mund të jepnin dritë pa vaj; edhe pse ato ndriçonin në tabernakull ato kishin nevojë për t’u ushqyer, edhe pse asnjë erë e fuqishme nuk fryu mbi to ato kishin nevojë për t’u kujdesur dhe nevoja jote është po aq e madhe. Nën rrethanat me të lumtura ti nuk mund të japësh dritë për një orë tjetër nëse nuk të jepet vaj i freskët.
Jo çdo vaj mund të përdorej në shërbimin e Zotit; as nafta që kullon kaq bollshëm prej tokës, as vaji i peshkut, as ai i nxjerrë prej lajthive nuk do të pranohej; një vaj i vetëm ishte përzgjedhur dhe që ishte vaji i ullirit më i mirë. Hiri i pretenduar i mirësisë natyrale, hir i përfytyruar i duarve të priftërinjve ose hiri imagjinar i ceremonive të jashtme nuk do t’i shërbejë kurrë shenjtorit të vërtetë të Perëndisë; ai e di se Zoti nuk do të kënaqej me lumenj të një vaji të tillë. Ai shkon në ullishtypësen e Getsemanesë dhe tërheq furnizimet prej Atij që u shtyp atje. Vaji i hirit të ungjillit është i pastër dhe pa llum e llurbë dhe prandaj drita që ushqehet prej tij është e qartë dhe e shkëlqyeshme. Kishat tona janë shandanët e artë të Zotit tonë dhe nëse ato duhet të jenë drita në këtë botë të errët ato duhet të kenë shumë vaj të shenjtë. Le të lutemi për vetveten, pastorët dhe kishat tona, që atyre të mos t’i mungojë vaji për dritën. E vërteta, shenjtëria, gëzimi, njohuria, dashuria, këto janë rrezet e dritës së shenjtë, por ne nuk mund t’i shfaqim nëse fshehurazi nuk marrim vaj prej Perëndisë Frymës së Shenjtë.
28 gusht-mbrëmje
“Ngazëllo o shterpë.”
{Isaia 54:1}
Edhe pse kemi dhënë ca fryte për Krishtin dhe kemi një shpresë të gëzueshme se jemi “bimët e mbjelljes të dorës së djathtë të tij;” prapëseprapë ka kohë kur ne ndjehemi shumë shterpë. Lutja është pajetë, dashuria është e ftohtë, besimi është i dobët, çdo hir në kopshtin e zemrës lëngon dhe plogështohet. Ne jemi si lule nën një diell të nxehtë, duke pasur nevojë për rrebeshin freskues. Çfarë duhet të bëjmë në një gjendje të tillë? Teksti na drejtohet neve pikërisht në një gjendje të tillë. “Ngazëlle, o shterpë, shpërthe në britma të larta gëzimi.” Por për çfarë të ngazëllehem? Nuk mund të flas dot për të tashmen dhe madje e kaluara më duket plot me shterpësi. Ah! Unë mund të ngazëllehem prej Jezu Krishtit. Mund të flas për vizitat që Shpëtimtari më ka bërë më përpara; ose nëse jo për këto, unë mund të madhëroj dashurinë e madhe me të cilën Ai e deshi popullin e Tij kur erdhi prej lartësive të qiellit për shpëtimin e tyre. Do të shkoj te kryqi përsëri. Eja, shpirti im, i ngarkuar rëndë ishe një here; dhe atje me të vërtetë e lirove barrën tënde. Shko të Kalvari përsëri. Ndoshta ai kryq që të dha jetën mund të të japë pjellori. Çfarë është shterpësia ime? Është platforma për fuqinë e tij frytdhënëse. Çfarë është dëshpërimi im? Është korniza e zezë për safirin e dashurisë së Tij të përjetshme. Do të shkoj në varfëri, do të shkoj i pandihmë, do të shkoj në gjithë turpin tim dhe rëniet e mia, do t’i them se jam përsëri fëmija e Tij dhe në mirëbesim në zemrën e Tij besnike, edhe unë, shterpi, do të ngazëllehem dhe do të shpërthej në britma gëzimi.
Ngazëllo, besimtar, sepse do të gëzojë vetë zemrën tënde dhe zemrat e dëshpëruar të të tjerëve. Vazhdo të ngazëllesh, sepse tani që je me të vërtetë me turp për shterpësinë tënde, ti do të japësh fryte shpejt; tani që Perëndia të bën të kesh neveri mungesën e fryteve do të mbulojë shpejt me vile. Eksperienca e shterpësisë sonë është e dhembshme, por vizitat e Zotit janë të mrekullueshme. Ndijimi i varfërisë sonë na shpie te Krishti dhe Ai është vendi ku ne duhet të jemi, sepse në Të gjendet fryti ynë.
29 gusht-mëngjes
“Ki mëshirë për mua, o Perëndi.”
{Psalmi 51:1}
Kur Dr.Carey po vuante prej një sëmundje të rrezikshme, iu bë pyetja, “nëse kjo sëmundje do të ishte fatale, çfarë pjese do të zgjidhje si tekst për predikim në varrim? Ai u përgjigj, “Oh, ndjej se një krijesë e tillë mëkatare dhe e gjorë nuk e meriton që të flitet ndonjë gjë për të, por nëse do të predikohej në varrim, le të jetë prej fjalëve; “Ki mëshirë për mua, O Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.” Në të njëjtën frymë përulësie ai urdhëroi që nënshkrimi vijues dhe asgjë më tepër të gdhendej në gurin e varrit:-
William Carey, lindur më 17 gusht, 1761 :
Vdiq—
Një krimb i gjorë, i varfër dhe i pandihmë
Në duart e tua dashamirësie e dorëzoj veten.
Vetëm duke u mbështetur në hirin falas, shenjtorët më me përvojë dhe më të nderuar mund t’i afrohen Perëndisë të tyre. Njerëzit më të mirë janë të ndërgjegjshëm mbi të tjerët se më së miri ata janë njerëz. Varkat bosh lundrojnë lart, por enët e ngarkuara rëndë zhyten poshtë në ujë; të ashtuquajturit besimtarë mund të mburren, por bijtë e vërtetë të Perëndisë thërrasin për mëshirë përsa i përket mungesës së dobishmërisë. Ne kemi nevojë që Zoti të ketë mëshirë për veprat tona të mira, lutjet tona, predikimet tona, lëmoshat tona dhe gjërat tona më të shenjta. Gjaku nuk u spërkat vetëm mbi dyert e banesave të Izraelit, por mbi shenjtoren, mbi pajtuesin, mbi altarin, sepse ashtu si mëkati përvidhet në gjërat më të shenjta, nevojitet gjaku i Jezusit për t’i pastruar ato prej përlyerjes. Nëse nevojitet mëshirë edhe ndaj detyrave tona, çfarë do të thuhet për mëkatet tona? Sa e ëmbël kujtesa e mëshirës së pashtershme që po pret të jetë e hirshme kundrejt nesh, për të na rimëkëmbur prej rënieve tona, për të gëzuar kockat tona të thyera.
29 gusht-mbrëmje
“Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat as lëkurën e rrushit.”
{Numrat 6:4}
Nazirenjtë patën lidhur midis betimeve të tjera një betim që i pengonte të përdornin verën. Në mënyrë që të mos të thyenin këtë betim, atyre u ndalohej të pinin uthullën e verës ose likuore të fortë dhe për ta bërë rregullën akoma më të qartë, ato nuk duhet të preknin lëngun e pafermentuar të rrushit, as të hanin frutin ose të freskët ose të thatë. Gjithashtu në mënyrë që të siguroheshin për moshkeljen e betimit, atyre nuk i lejohej asgjë që kishte të bënte me verën; ata, në fakt, duhet të shmangin pamjen e së ligës. Me siguri ky është një mësim për të veçuarit e Zotit, duke i mësuar të largohen prej mëkatit në çdo formë, të mënjanojnë jo vetëm thjesht format e tij më të mëdhaja, por edhe frymën dhe ngjashmërinë e tij. E ecura e disiplinuar është shumë e përçmuar këto ditë, por ji i sigurtë, lexues i dashur, është gjëja më e sigurtë dhe më e lumtur.
Ai që i lëshon pe botës është në një rrezik të frikshëm; ai që han rrushin e Sodomës do të pijë së shpejti verën e Gomorrës. Një e çarë e vogël në argjinaturën e detit në Holandë lejon detin të hyjë brenda dhe e hapura rritet derisa një provincë e tërë përmbytet. Përshtatshmëria me botën, në çdo shkallë, është një kurth për shpirtin dhe e bën atë akoma dhe akoma më të prirur për mëkate të mëdha. Për më tepër, ashtu si Nazireu që piu lëngun e rrushit nuk mund të ishte tërësisht i sigurtë nëse rrushi nuk kishte pësuar ndonjë shkallë fermentimi dhe rrjedhimisht nuk mund të ishte i qartë në zemrën e tij nëse betimi ishte i paprekur, po ashtu i krishteri ngurrues dhe pelëshues nuk mund të ketë një ndërgjegje të pastër, por duhet të ndjejë punën e detektorit të brendshëm. Gjërat e dyshueshme nuk kemi pse i dyshojmë janë apo nuk janë të tilla; ata thjesht na bëjnë dëm. Nuk duhet të luajmë me gjërat që na tundojnë, por duhet t’ia mbathim prej tyre me shpejtësi. Më mirë të përqeshesh si Puritan se sa të përçmohesh si hipokrit. E ecura e kujdesshme duhet të përmbajë shumë vetëmohim, por ka kënaqësitë e veta të cilat janë më tepër se një shpërblim i mjaftueshëm.
30 gusht-mëngjes
“Ki besim të madh te Zoti.”
{Psalmi 27:14}
Mund të duket një gjë e lehtë të presësh, por është një prej qëndrimeve që ushtari i krishterë nuk e mëson pa vite mësimi. Të marshosh dhe të marshosh shpejt janë shumë më të lehta për luftëtarët e Perëndisë se sa të qëndrosh i palëvizur. Ka orë hutimi kur fryma më e vullnetshme, duke dëshiruar me ankth të shërbejë Zotin nuk e di çfarë drejtimi të marrë. Atëherë çfarë duhet bërë? Të dëshpërohesh? Të zmbrapsesh me burracakëri, të kthehesh djathtas nga frika, apo të turresh përpara me fodullëk? Jo, por thjesht prit. Sido që të jetë prit në lutje. Thërrit Perëndinë dhe parashtro rastin tënd para Tij; i thuaj vështirësinë tënde dhe kërko premtimin e Tij të ndihmesës. Në mëdyshje midis një detyre dhe një tjetër, është e ëmbël të jesh i përulur si një fëmijë dhe të presësh për Zotin me thjeshtësi shpirti. Është e sigurtë që është mirë kur ne e ndjejmë dhe e njohim vetë çmendurinë tonë dhe kemi shumë vullnet të udhëhiqemi nga vullneti i Perëndisë. Mirëpo prit në besim. Shpreh mirëbesimin tënd të patundshëm në Të; sepse pritja jobesnike dhe jobesimtare nuk është veçse një fyerje për Zotin.
Beso se edhe pse të bën të presësh deri në mesnatë, prapëseprapë do të vijë në kohën e duhur; përgjigjja do të vijë dhe nuk do të vonohet. Prit në durim të qetë, duke mos u rebeluar, ngaqë je nën zemërdhembje, por duke bekuar Perëndinë për të. Asnjë herë mos murmurit kundër shkakut të dytë, ashtu si fëmijët e Izraelit bënë kundër Moisiut; mos uro që të kthehesh mbrapa në botë, por pranoje rastin ashtu siç është dhe vendose ashtu siç është, me thjeshtësi dhe me gjithë zemrën tënde, pa vetëvullnet, në dorën e Perëndisë tënd besëlidhës, duke thënë, ”Tani, Zot, jo vullnetin tim,por u bëftë i yti. Nuk e di çfarë të bëj, nuk kam nga t’ia mbaj, por do të pres derisa ti do të çash ujërat, ose të zmbrapsësh armiqtë e mi. Do të pres, nëse më ruan, sepse zemra ime qëndron vetëm mbi ty o Perëndi dhe fryma ime të pret në bindjen e plotë se do të jesh akoma gëzimi im dhe shpëtimi im, streha ime dhe kulla ime.
30 gusht-mbrëmje
“Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem.”
{Jeremia 17:14}
“I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj.”
{Isaia 57:18}
Vetëm Perëndia mund të shërojë sëmundjen shpirtërore. Sëmundja natyrore mund të shërohet instrumentalisht prej njerëzve, por edhe atëherë nderi i jipet Perëndisë që i jep virtyt mjekësisë dhe pushtet njeriut të heqë sëmundjen. Përsa i përket sëmundjes shpirtërore, kjo i përket vetëm Mjekut të madh; Ai e paraqet atë si e drejta e posaçme e Tij; “Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, Unë të plagos dhe të shëroj;” dhe një prej titujve të zgjedhur të Zotit është Jehovah-Rofi, Zoti që të shëron. ”Do të shëroj plagët e tua” është një premtim që nuk mund të vinte prej buzëve të një njeriu, por vetëm prej gojës së Perëndisë të përjetshëm. Në lidhje me këtë psalmisti i thirri Zotit, ”Oh Zot, më shëro, sepse kockat e mia janë kaq të munduara,”dhe përsëri, ”Shëro shpirtin tim, sepse kam mëkatuar kundrejt teje.” Për këtë, gjithashtu, i përshpirtshmi lavdëron emrin e Zotit, duke thënë, “Ai shëron të gjitha sëmundjet tona.”
Ai që bëri njeriun mund ta rimëkëmbi; Ai që së pari ishte krijuesi i natyrës sonë mund të krijojë një të re. Çfarë ngushëllimi i mbinatyrshëm është se në personin e Jezusit “banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë!” Shpirti im, çfarëdo që mund të jetë sëmundja jote, ky Mjek i madh mund të të shërojë. Nëse Ai është Perëndi, nuk mund të ketë kufi për fuqinë e Tij. Eja pra me syrin e verbër të kuptimit të errët, eja me këmbën çalamane të energjisë së humbur kot, eja me dorën e gjymtuar të besimit të dobët, ethet e një karakteri të zemëruar, ose të ngjethurat e një shkurajimi të dridhur, eja ashtu si je, sepse Ai që është Perëndi mund të të rimëkëmbë prej sëmundjes tënde. Askush nuk do ta pengojë virtytin shërues që vjen prej Jezusit Zotit tonë. Legjione djajsh kanë njohur fuqinë e Mjekut të shumëdashur dhe asnjëherë Ai nuk ka dështuar. Të gjithë pacientët e Tij janë shëruar në të kaluarën dhe do të shërohen në të ardhmen dhe ti do të jesh njëri midis atyre, shoku im, nëse ia dorëzon veten Atij këtë natë.
31 gusht-mëngjes
“Do të kenë besim në krahun Tim.”
{Isaia 51:5}
Në periudhat e mundimit të ashpër, i krishteri nuk ka asgjë në tokë ku mund të besojë dhe është i shtrënguar ta dorëzojë veten vetëm te Perëndia. Kur ena e tij është në rrezatimet e fundit dhe asnjë çlirim njerëzor nuk vlen më, ai duhet t’ia besojë vetveten thjeshtësisht dhe tërësisht Providencës dhe kujdesit të Perëndisë. Sa stuhi lajmëmirë ajo që rrënon një njeri në një shkëmb si ky. O tufan i bekuar që e shpie shpirtin te Perëndia dhe vetëm te Perëndia! Ndonjëherë nuk ka shkuarje te Perëndia ynë për shkak të shumicës së shokëve tanë, por kur një njeri është kaq i varfër, kaq pa shoqëri, kaq i pandihmë sa nuk ka nga të shkojë, ai fluturon në krahët e Zotit dhe Zoti e përqafon me bekueshmëri! Kur ai është i ngarkuar me halle kaq të veçanta dhe kaq të ngutshme, aq sa nuk mund t’ia shprehë askujt përveç Perëndisë, ai duhet të jetë mirënjohës për to, sepse do të mësojë më tepër mbi Zotin e tij pikërisht në këtë kohë se sa në çdo kohë tjetër.
Oh, besimtar i rrahur nga stuhia, është një hall i bekuar ai që të shpie tek Ati! Tani që ke veç Perëndinë për të besuar, bëj kujdes që të vendosësh të gjithë mirëbesimin tënd te Ai. Mos e çndero Zotin tënd dhe Padronin tënd me dyshime dhe ndrojtje pa vlerë, por ji i fortë në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë. Tregoi botës se Perëndia yt vlen më shumë se dhjetë mijë botë për ty. Tregoi njerëzve të pasur sa i pasur je në varfërinë tënde kur Zoti Perëndi është ndihmësi yt. Tregoi njeriut të fortë sa i fortë je në dobësinë tënde kur poshtë teje janë krahët e përjetshëm. Tani është koha për vepra besimi dhe bëma trimërie. Ji i fortë dhe shumë me kurajë dhe Zoti Perëndia jot po aq me siguri sa krijoi qiellin dhe tokën, do të përlëvdohet në dobësinë tënde dhe do të madhërojë fuqinë e Tij në mes të trishtimit tënd. Madhështia e harkut të qiellit do të hiqej nëse qielli do të mbahej prej një kolonë të dukshme dhe besimi yt do të humbë lavdinë e tij nëse do të qëndronte në ndonjë gjë të dallueshme prej syrit mishor. Fryma e Shenjtë të dhëntë të qëndrosh në Jezusin këtë ditë mbyllëse të muajit.
31 gusht-mbrëmje
“Por, po të ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë.”
{1 Gjoni 1:7}
Sikurse Ai është në dritë! A mund të arrijmë këtë? A do të jemi ndonjëherë të aftë të ecim aq qartë në dritë sa Ai që ne e thërrasim “Ati ynë“ për të Cilin është shkruar, “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka fare errësirë?“ Jini të përkryer, po ashtu si Ati juaj që është në qiell është i përkryer;“ dhe edhe pse mund të ndjejmë se nuk mund të rivalizojmë kurrë përkryerjen e Perëndisë, prapëseprapë ne duhet ta kërkojmë dhe të mos kënaqemi kurrë derisa ta arrijmë. Artisti i ri, në fillimet e tij, zor se shpreson të barazojë Rafaelin ose Mikelanxhelon, por prapëseprapë, nëse përpara tij nuk do të kishte një ideal të bukur fisnik, atëherë ai do të arrinte vetëm në diçka shumë të vogël dhe të zakonshme. Mirëpo çfarë kuptohet me shprehjen se i krishteri duhet të ecë në dritë ashtu si Perëndia është në dritë? Mendojmë se kjo do të thotë ngjashmëri dhe jo shkallë.
Ne jemi po aq me vërtetësi në dritë, po aq me zemër në dritë, po aq sinqerisht në dritë, po aq ndershmërisht në dritë, edhe pse ne nuk mund të jemi në të njëjtën masë. Unë nuk mund të banoj në diell, është shumë i shndritshëm për të qenë vendbanimi im, por unë mund të eci nën dritën e diellit; dhe kështu, edhe pse nuk mund të arrij atë përkryerje pastërtie dhe vërtetësie që i përket prej natyre Zotit të ushtrive si pafundësisht i mirë, prapëseprapë unë mund ta vendos Zotin përherë përpara meje dhe të përpiqem me ndihmën e Frymës që banon përbrenda, të jem sipas shëmbëlltyrës së imazhit të Tij. Komentatori i vjetër i famshëm, John Trapp, thotë, “Ne mund të jemi në dritë ashtu si Perëndia është në dritë, me të njëjtën cilësi por jo në të njëjtën masë.” Ne duhet të kemi të njëjtën dritë, dhe me siguri do ta kemi dhe do të ecim në të ashtu si Perëndia, megjithatë, përsa i përket barazisë me Perëndinë në shenjtëri dhe pastërti, kjo duhet lënë derisa të kalojmë Jordanin dhe të hyjmë në përkryerjen e Shumë të Lartit. Vini re se bekimet e shoqërimit të shenjtë dhe pastrimit të përkryer janë të lidhura me ecjen në dritë.