Ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt. (Isaia 50:4)
Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara. Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën. (Psalmi 63:5,6)
1 nëntor-mëngjes
“Kisha që mblidhet në shtëpinë tënde.”
{Filemoni 1:2}
A ka kishë në shtëpinë tënde? A janë prindërit, fëmijët, miqtë e shërbëtorët të gjithë pjesëtarë të saj? Apo ka akoma disa të pakthyer në besim? Le të ndalemi këtu dhe le të ngremë pyetjen—a jam unë një pjesëtar i kishës në këtë shtëpi? Sa do të kërcente zemra e atit prej gëzimit dhe sytë e nënës do të mbusheshin me lot të shenjtë nëse që nga më i moshuari deri te më i riu të gjithë të ishin të shpëtuar! Le të lutemi për këtë mëshirë të madhe derisa Zoti të na e japë. Ndoshta qe objekti më i shtrenjtë i dëshirave të Filemonit të kishte të gjithë familjen e tij të shpëtuar, por kjo nuk iu dha në fillim në plotësinë e saj. Ai kishte një shërbëtor të lig, Onesimin, i cili, duke ia hedhur, u largua prej shërbimit të tij. Lutjet e të zotit të tij e ndoqën mbrapa dhe së fundmi, përderisa Perëndia deshi, Onesimit i qëlloi të dëgjonte Palin; zemra e tij u prek dhe ai u kthye te Filemoni, jo vetëm për të qenë një shërbëtor besnik, por një vëlla i dashur, duke shtuar një tjetër pjesëtar në kishën e shtëpisë së Filemonit. A ka ndonjë shërbëtor të pakthyer në besim ose ndonjë fëmijë që mungon këtë mëngjes? Përgjërohu në mënyrë të veçantë që të tillë njerëz, ndërsa kthehen në shtëpi, të gëzojnë të gjitha zemrat me lajmet e mira se çfarë ka bërë hiri! A ka ndonjë që është aty i pranishëm? Atëherë përgjërohu edhe për ta.
Nëse ka një kishë të tillë në shtëpinë tonë, le të jetë me rregull dhe le të veprojmë të gjithë si përpara syve të Perëndisë. Le të lëvizim në çështjet e zakonshme të jetës me një shenjtëri të kujdesshme, zell, mirësi dhe ndershmëri. Pritet më shumë prej një kishe se sa prej një familje të zakonshme; adhurimi familjar duhet, në një rast të tillë, të jetë më i përkushtuar dhe më i përzemërt; dashuria e brendshme duhet të jetë më e ngrohtë, më e pathyeshme dhe sjellja e jashtme duhet të jetë më e shenjtëruar dhe më e ngjashme me Krishtin. Ne nuk kemi pse të kemi frikë se numri ynë i vogël do të lërë jashtë listës së kishave, sepse Fryma e Shenjtë në këtë varg ka regjistruar një kishë familjare në librin e frymëzuar të kujtesës. Si një kishë le të afrohemi më afër Kreut të kishës universale dhe le t’i përgjërohemi Atij për të na dhënë hir për të shkëlqyer përpara njerëzve për lavdi të emrit të Tij.
1 nëntor-mbrëmje
“Dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.”
{Mateu 24 :39}
Dënimi ishte universal, as i pasuri as i varfëri nuk shpëtuan; i mësuari dhe analfabeti, i admiruari dhe i urryeri, fetari dhe i pafeu, i moshuari dhe i riu, të gjithë u zhytën në një rrënim të përbashkët. Disa pa dyshim që përqeshën patriarkun—ku janë tani talljet e tyre gazmore? Të tjerët e patën kërcënuar atë për zellin e tij që e konsideruan si marrëzi—ku janë tani mburrjet e tyre dhe fjalimet e tyre të vrazhda? Kritiku që gjykoi punën e njeriut të moshuar është i mbytur në të njëjtën det që mbulon miqtë e tij tallës. Ata që përkrahën besnikërinë e këtij njeriu të mirë ndaj bindjeve të tij, por që nuk i ndanë për vete, u zhytën për të mos u ngritur më dhe punëtorët që për një shpërblim ndihmuan të ndërtonin arkën e mrekullueshme, humbën gjithashtu. Ata u fshinë nga ujërat dhe asnjë përjashtim nuk u bë. Po ashtu, jashtë Krishtit, është i sigurtë shkatërrimi përfundimtar për çdo njeri të lindur prej gruas; asnjë pozitë, zotërim,ose karakter, nuk do të mjaftojë për të shpëtuar edhe një shpirt të vetëm që nuk ka besuar në Zotin Jezus. Shpirti im, shiko këtë gjykim të shtrirë te gati gjithë njerëzit dhe dridhu prej tij.
Sa e habitshme amullia e përgjithshme! Ata ishin të gjithë duke ngrënë dhe duke pirë, duke martuar e duke u martuar, derisa mëngjesi i tmerrshëm agoi. Nuk kishte as dhe një njeri të urtë mbi tokë jashtë arkës. Marrëzia mashtroi të gjithë racën, marrëzia e vetësigurisë—më e marra e të gjithë marrëzive. Marrëzia e të dyshuarit të Perëndisë të vërtetë—më e liga e marrëzive. E çuditshme apo jo, shpirti im? Të gjithë njerëzit lënë pas dore shpirtrat e tyre deri sa hiri i jep atyre arsyen, atëherë ata braktisin marrëzinë e tyre dhe veprojnë si qenie të arsyeshme, po ama jo deri atëherë. Bekuar qoftë Perëndia, të gjithë ishin të sigurtë në arkë, asnjë rrënim nuk hyri aty. Prej elefantit të madh deri te miu i vogël të gjithë ishin të sigurtë. Lepuri i ndrojtur ishte po aq i sigurtë sa luani trim, lepurushi i brishtë po aq i sigurtë sa kau punëtor. Të gjithë janë të sigurtë në Jezusin. Shpirti im, a je ti në Të?
2 nëntor-mëngjes
“Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.”
{Malakia 3 :6}
Është mirë për ne, që midis gjithë ndryshueshmërisë së jetës, është Një që ndryshimi nuk mund ta prekë dot; Një, me zemër që nuk mund të ndërrojë dhe me ballin ku ndryshimi nuk mund të bëj dot rrudha. Të gjitha gjërat e tjera kanë ndryshuar—të gjitha gjërat po ndryshojnë. Vetë dielli po meket me kalimin e kohës; bota po plaket; gjërat e vjetruara po kalojnë; qiejt dhe toka do të zhduken shpejt; ato do të konsumohen, do të vjetrohen po ashtu si një rrobe; por ka vetëm Një që ka pavdekësinë, vitet e të Cilit nuk kanë fund dhe në Personin e të Cilit nuk ka ndryshim. Kënaqësia që marinari ndjen, mbasi është lëkundur andej këndej për shumë ditë, kur shkel përsëri mbi bregun e qëndrueshëm, është kënaqësia e të krishterit mes të gjitha ndryshimeve të jetës së tij të trazuar, kur mbështet këmbën e besimit të tij mbi këtë të vërtetë—”Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.”
Qëndrueshmëria që spiranca i jep anijes kur më së fundi ajo ka fituar një mbërthim të fortë, është po si ajo që shpresa e të krishterit i jep kur ai e fikson veten mbi këtë të vërtetë të lavdishme. Me Perëndinë “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.” Çfarëdo që atributet e Tij ishin në të kaluarën, janë po ashtu tani; pushteti i Tij, urtësia e Tij, drejtësia e Tij, e vërteta e Tij, nuk kanë ndryshuar. Ai përherë ka qenë strehimi i popullit të Tij, kështjella e tyre në ditën e trazirës dhe Ai është akoma ndihmësi i tyre i sigurtë. Ai është i pandryshuar në dashurinë e Tij. Ai e ka dashur popullin e Tij me një “dashuri të përjetshme;” Ai i do ata tani po aq sa më përpara dhe kur të gjitha gjërat tokësore do të shkrihen në flakërimin e fundit, dashuria e Tij do të ketë përsëri vesën e rinisë së Tij. Siguria se Ai nuk ndryshon është e çmueshme! Rrota e providencës rrotullohet, por aksi i saj është dashuria e përjetshme.
Vdekja dhe ndryshimi nuk pushojnë
Njeriu prishet, kohërat ecin në vazhdimësi;
Por mëshirat e Tij kurrë nuk kalojnë;
Perëndia është urtësi, Perëndia është dashuri.
2 nëntor-mbrëmje
“Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.”
{Psalmi 119 :53}
Shpirti im, a e ndjen këtë drithërimë kundrejt mëkateve të të tjerëve? Përndryshe ty të mungon shenjtëria e brendshme. Faqet e Davidit ishin të njoma me lumenj lotësh për shkak të mungesës mbizotëruese të shenjtërisë; Jeremia vajtonte me të madhe shkeljet e Izraelit dhe Loti torturohej prej bisedave të njerëzve të Sodomës. Ata mbi të cilët u vendos shenja në vizionin e Ezekielit, ishin ata që psherëtinë dhe klithën për shkak të fëlliqësirave të Jeruzalemit. Nuk mund veçse t’u dhëmbë shpirtrave të hirshëm të shikojnë se si rreken njerëzit për të shkuar në ferr. Ata e njohin të ligën e mëkatit me përjetim dhe alarmohen teksa shikojnë të tjerët që shkojnë te mëkati si mola në zjarr. Mëkati e bën të drejtin të dridhet, sepse shkel një ligj të shenjtë, që është në interesin më të lartë për çdo njeri ta respektojë; hedh poshtë shtyllat e shoqërisë. Mëkati i të tjerëve e tmerron një besimtar, sepse i sjell në mendje gjendjen e ulët të zemrës së tij; kur shikon një shkelës ai thërret bashkë me shenjtorin e përmendur prej Bernardit, “Ai ra sot dhe unë mund të bie nesër.” Mëkati për një besimtar është i tmerrshëm, sepse ai kryqëzoi Shpëtimtarin; ai shikon në çdo shkelje gozhdët dhe heshtën.
Si vallë një shpirt mund të shikojë pa urrejtje atë mëkat të mallkuar që vrau Krishtin? Fol shpirti im, a do ta bëje këtë gjë? Është një gjë e tmerrshme të fyesh Perëndinë ballë për ballë. Perëndia i mirë meriton trajtim më të mirë, Perëndia i madh e kërkon këtë, Perëndia i drejtë do ta arrijë këtë, ose përndryshe do t’i bëjë kundërshtarët ta paguajnë ballë për ballë. Një zemër vigjilente dridhet prej guximit të mëkatit dhe qëndron e alarmuar teksa shikon dënimin e mëkatit. Sa gjë e tmerrshme që është rebelimi! Çfarë dënimi i kobshëm është i përgatitur për të papërshpirtshmin! Shpirti im, kurrë mos qesh me marrëzinë e mëkatit, në mënyrë që të mos përfundosh duke i buzëqeshur vetë mëkatit. Është armiku yt dhe armiku i Zotit tënd—shikoje atë me urrejtje, sepse vetëm kështu ti mund të dëshmosh zotërimin e shenjtërisë, pa të cilën askush nuk mund të shohë Zotin.
3 nëntor-mëngjes
“I cili po lutet.”
{Veprat 9:11}
Lutjet vihen re menjëherë në qiell. Në çastin kur Sauli filloi të lutet, Zoti e dëgjoi. Këtu ka ngushëllim për shpirtin e pikëlluar, por lutës. Shpeshherë një zemërthyer i gjorë bie në gjunjë, por veç shpreh vajtimin e tij në gjuhën e psherëtimave dhe lotëve; prapëseprapë ajo psherëtimë i ka bërë të gjitha harpat e qiellit të dridhen me muzikë; ai lot është kapur prej Zotit dhe ruhet si thesar në depon e lotëve në qiell. “Ti i vendos lotët e mia në calikun tënd,” nënkupton se asnjëri nuk shkon kot. Përgjëruesi me lotët që i paraprijnë fjalëve, do të kuptohet më së miri prej Shumëtëlartit. Ai veç mund të shikojë lart me sy të mjegullt, por “lutja është rënia e një loti.” Lotët janë diamantet e qiellit; psherëtimat janë një pjesë e muzikës së oborrit të Jehovait dhe konsiderohen njësoj me “meloditë më sublime që arrijnë të Madhërishmin lart.” Mos mendo se lutja jote, sado e dobët ose luhatëse, nuk do të merret në konsideratë.
Shkalla e Jakobit është e lartë, por lutjet tona do të mbështeten mbi Engjëllin e besëlidhjes dhe kështu do të ngjiten deri lart te yjet. Perëndia ynë jo vetëm që dëgjon lutjen, por gjithashtu gjen ëndje ta dëgjojë atë. “Ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.” E vërtetë, Ai nuk i konsideron dukjen e jashtme dhe fjalët e rafinuara; Ai nuk do t’ia dijë për pompozitetin e mbretërve; Ai nuk dëgjon ushtimat luftarake; Ai nuk do t’ia dijë për triumfin dhe krenarinë e njerëzve, por kudo që ka një zemër plot me trishtim, ose një buzë duke u dredhur me agoni, ose një psherëtimë të thellë, ose një psherëtimë pendese, zemra e të Përjetshmit është e hapur; Ai e shënon atë në regjistrin e memories së Tij; Ai vendos lutjet tona, si gjethe trëndafili, midis faqeve të librit të Tij të kujtesës dhe kur libri do të hapet, do të ketë një aromë të çmueshme që del prej tij.
Besimi nuk kërkon sinjale prej qiejve,
Për t’i treguar se lutjet u pranuan,
Prifti ynë është në vendin e Tij të shenjtë,
Dhe përgjigjet prej fronit të Tij të hirit.
3 nëntor-mbrëmje
“Lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.”
{2 Kronikave 30 :27}
Lutja është mjeti i padështueshëm i të krishterit në çdo rast, në çdo hall. Kur nuk mund të përdorësh dot shpatën mund të marrësh armën e lutjes. Baruti jot mund të jetë i njomur, pejza e harkut tënd mund të jetë e shtendosur, por arma e lutjes nuk do të jetë kurrë me defekt. Leviathani qesh prej heshtës, por dridhet prej lutjes. Shpata dhe heshta kanë nevojë për t’u pastruar, por lutja kurrë nuk ndryshket dhe kur e mendojmë si të topitur është atëherë që pret më mirë. Lutja është një derë e hapur që askush nuk mund ta mbyllë. Djajtë mund të të rrethojnë në të gjitha anët, udha për lart është gjithmonë e hapur dhe për aq kohë sa ai shteg nuk njeh pengesë, ti nuk do të biesh në dorën e armikut. Ne nuk mund kurrë të mposhtemi prej betejave ose stuhisë, për aq gjatë sa ndihmat qiellore mund të na vijnë poshtë prej shkallës së Jakobit për të na lehtësuar në periudhën e nevojave tona.
Lutja nuk është kurrë jashtë stine, në verë dhe në dimër malli i saj është i çmuar. Lutja fiton dëgjim në qiell në qetësinë e natës, në mesin e biznesit, në nxehtësinë e mesditës, në hijet e drekës. Në çdo gjendje, qoftë varfërie, ose sëmundjeje, ose errësire, ose shpifjeje, ose dyshimi, Perëndia yt besëlidhës do të mirëpresë lutjen tënde dhe do t’i përgjigjet prej vendit të Tij të shenjtë. Po ashtu lutja nuk është kurrë e kotë. Lutja e vërtetë është gjithmonë fuqi e vërtetë. Ti ndoshta nuk mund të marrësh përherë atë që kërkon, por nevojat e tua do t’i kesh përherë të përmbushura. Kur Perëndia nuk i përgjigjet fëmijëve të Tij sipas gërmës, i përgjigjet sipas frymës. Nëse kërkon bukë thatë, a do të zemëroheshe nëse do të jepte ushqim të përzgjedhur? Nëse kërkon shëndet, a do të qaheshe nëse Ai veç bën sëmundjen tënde t’i shërbejë shërimit të sëmundjeve shpirtërore? A nuk është më mirë që kryqi të shenjtërohet sesa të hiqet tutje? Këtë mbrëmje, shpirti im, mos harro të paraqesësh peticionin dhe kërkesën tënde, sepse Zoti është gati të përmbushë dëshirat e tua.
4 nëntor-mëngjes
“Fuqia ime përsoset në dobësi.”
{2 Korintasve 12:9}
Ndjesia e vetë dobësisë sonë është një cilësi themelore për t’i shërbyer Perëndisë me ndonjë masë suksesi dhe për të bërë mirë dhe triumfalisht veprën e Perëndisë. Kur luftëtari i Perëndisë marshon përpara për në betejë, i fortë në fuqinë e tij, kur ai krenohet, “e di se do të dal fitimtar, vetë krahu im i djathtë dhe shpata ime fitimtare do të japin fitoren,” humbja nuk është shumë larg. Perëndia nuk do të dalë bashkë me atë njeri që ecën në vetë fuqinë e tij. Ai që mbështetet në fitore në këtë mënyrë, i ka bërë llogaritë gabim, sepse “nuk është me anë të fuqisë, ose pushtetit, por me anë të Frymës Sime,thotë Zoti i ushtrive.”
Ata që shkojnë përpara për të luftuar, duke u mburrur me bëmat e tyre, do të kthehen me flamujt e tyre të shkëlqyeshëm duke u tërhequr zvarrë në pluhur dhe me mburojën e tyre të njollosur me turp. Ata që i shërbejnë Perëndisë duhet t’i shërbejnë Atij në vetë udhën e Tij dhe në forcën e Tij, ose përndryshe Ai nuk do të pranojë kurrë shërbimin e tyre. Atë që njeriu bën, i pandihmuar prej forcës hyjnore, Perëndia nuk mund ta pranojë. Frytet natyrale të tokës ai i hedh tutje; ai do të korrë vetëm atë grurë, fara e të cilit u mboll prej qiellit, u ujit me hir dhe u poq prej diellit të dashurisë hyjnore. Perëndia do të zbrazë gjithçka që vjen prej teje përpara se të fusë brenda çka vjen prej Tij; Ai do të pastrojë së pari hambarët e tu përpara se t’i mbushë me grurin më të zgjedhur. Lumi i Perëndisë është plot me ujë, por asnjë pikë e tij nuk rrjedh prej burimeve tokësore. Perëndia nuk do që të ketë forcë të përdorur në betejat e Tij përveçse forcën që Ai vetë jep. A po vajton mbi vetë dobësinë tënde? Merr zemër, sepse duhet të ketë një ndërgjegjshmëri dobësie përpara se Zoti të të japë fitoren. Zbrazëtia jote nuk është veçse një përgatitje për t’u mbushur dhe trishtimi jot nuk është veçse përgatitje për ngritjen tënde lart.
Kur jam i dobët atëherë jam i fortë,
Hiri është mburoja ime dhe Krishti kënga ime.
4 nëntor-mbrëmje
“Me anë të dritës sate ne shohim dritën.”
{Psalmi 36 :9}
Asnjë gjuhë nuk mund t’i shprehë zemrës dashurinë e Krishtit derisa vetë Jezusi të flasë përbrenda saj. Të gjitha përshkrimet bien poshtë nëqoftëse Fryma e Shenjtë nuk i mbush me jetë dhe fuqi; derisa Emanueli ynë nuk e zbulon veten përbrenda, shpirti nuk e shikon dot Atë. Nëse do të doje të shikoje diellin, a do mblidhje vallë të gjitha mjetet e zakonshme të ndriçimit duke kërkuar kështu të shohësh diellin e ditës? Jo, njeriu i urtë e di se dielli duhet të shfaqë vetveten dhe se vetëm prej vetë shkëlqimit të tij mund të shikohet ajo llambë e fuqishme. Po ashtu është me Krishtin. “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas” i tha Ai Pjetrit, “sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku.”
Pastro mishin dhe gjakun me çfarë do procesi edukues, ngri aftësitë e mendjes në shkallën më të lartë të fuqisë intelektuale, prapëseprapë asnjë nga këto nuk mund të zbulojë dot Krishtin. Fryma e Perëndisë duhet të vijë me fuqi dhe të mbulojë njeriun me krahët e Tij dhe në atë shenjtëri mistike Zoti Jezus duhet t’i shfaqë veten syrit të shenjtëruar, ashtu siç nuk e bën një gjë të tillë me bijtë e njerëzve tërësisht të verbër. Krishti duhet të jetë vetë pasqyra e Tij. Masa e madhe e kësaj bote me sy të veshur nuk mund të shohë asgjë prej lavdive të pashprehshme të Emanuelit. Ai qëndron përpara tyre pa formë ose hijeshi, si një rrënjë e dalë jashtë prej një toke të thatë, e hedhur poshtë prej mendjemadhit dhe e përçmuar prej krenarit. Vetëm kur Fryma ka prekur syrin me balsamin e vet, ka gjallëruar zemrën me jetë hyjnore dhe ka edukuar shpirtin me një shije qiellore, veçse atëherë Ai dallohet. “Për ju që besoni Ai është i çmuar;” për ju Ai është guri i qoshes, Shkëmbi i shpëtimit tuaj, gjithçkaja juaj në gjithçka, por për të tjerët Ai “është një gur pengese dhe shkëmb skandali.” Lum ata të cilëve Zoti u shfaqet, sepse premtimi i Tij është se Ai do të bëjë banesën tek ata. O Jezus, Zoti ynë, zemra jonë është e hapur, hyr brenda dhe mos shko më kurrë jashtë. Na trego veten Tënde tani! Na favorizo me një shikim të hireve tua që çarmatosin zemrën.
5 nëntor-mëngjes
“Asnjë armë e sajuar kundrejt teje nuk do të ketë sukses.”
{Isaia 54:17}
Kjo ditë është e shënuar në historinë angleze për dy çlirime që Perëndia ka kryer për ne. Këtë ditë në vitin 1605 u zbulua komploti i papistëve për të shkatërruar Parlamentin.
Kur për princat tanë ato përgatisin
Në shpella të thella një kurth të zjarrtë,
Ai goditi prej qiellit me një rreze depërtuese,
Dhe pabesinë e errët solli në dritë.
Dhe së dyti—sot është përvjetori i zbarkimit të Mbretit Uilliam III, në Torbej në vitin 1668, gjë që shoi shpresën e pasardhjes papiste dhe siguroi lirinë e besimit. Kjo ditë duhet të kremtohet jo me festime të shfrenuara rinore, por me këngë të shenjtorëve. Baballarët tanë puritanë e kthyen këtë ditë në një kohë të veçantë falënderimi.
Predikimet vjetore të Matthew Henry në këtë ditë janë të gjitha të ruajtura. Vetëdija jonë e besimit protestant dhe dashuria jonë për lirinë, duhet të na bëjë të shikojmë këtë përvjetor me mirënjohje të shenjtë. Zemrat dhe buzët tona le të thërrasin, “O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.” Ti e ke bërë këtë komb shtëpinë e ungjillit dhe kur armiku është ngritur kundër saj, Ti e ke mbrojtur atë. Na ndihmo të të paraqesim këngë në vazhdimësi për çlirimet e vazhdueshme. Na jep më shumë e më shumë urrejtje për antikrishtin dhe përshpejto ditën e shkatërrimit të tij të plotë. Deri atëherë dhe përherë, ne besojmë premtimin, “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.” A nuk duhet që këtë ditë secili që do ungjillin e Jezusit të ketë për zemër të përgjërohet për përmbysjen e doktrinave të rreme dhe përhapjen e së vërtetës hyjnore? A nuk do të ishte mirë të shqyrtonim vetë zemrat tona dhe të nxjerrim jashtë rrangullat papiste të vetë drejtësisë që mund të fshihen aty brenda ?
5 nëntor-mbrëmje
“Kremtojeni, bekoni emrin e Tij.”
{Psalmi 100 :4}
Zoti ynë do të donte të gjithë popullin e Tij të pasur në mendime të larta dhe plot gëzim në lidhje me personin e Tij të bekuar. Jezusi nuk është i kënaqur që vëllezërit e Tij të mund të mendojnë ulët për të; është kënaqësia e tij që nusja e Tij të mund të kënaqet me bukurinë e Tij. Ne nuk duhet ta shikojmë Atë si thjesht një nevojshmëri, po ashtu si buka dhe uji, por si një delikatesë të përzgjedhur, si një ëndje të rrallë dhe rrëmbyese. Për këtë qëllim Ai ka shfaqur vetveten si një “perlë e një çmimi të madh” në bukurinë e saj të pashoqe, si një “qeske mirre” në aromën e saj freskuese, si “trëndafili i Sharonit” në parfumin e tij të vazhdueshëm, si “zambaku” në pastërtinë e tij të panjollë.
Si ndihmë për mendime të larta mbi Krishtin, kujto vlerësimin që Krishti ka përtej qiejve, ku gjërat janë të matura me standardin e duhur. Mendo se si Perëndia vlerëson të Vetëmlindurin, dhuratën e Tij të pashprehshme për ne. Merr në konsideratë çfarë engjëjt mendojnë për Të, teksa e llogarisin si nderi më i madh të mbulojnë fytyrat me vel nën këmbët e Tij. Merr në konsideratë se çfarë mendojnë për Të ata që janë larë në gjakun e tij; si ditën po ashtu dhe natën ata i këndojnë lavdërimet që meriton. Mendime të larta mbi Krishtin do të na mundësojnë për të vepruar në mënyrë të përshtatshme me të afërmit tanë. Sa më lart e shikojmë Krishtin të ulur në fron, sa më shumë përulemi para fronit të Tij, aq më shumë gati do të jemi për të vepruar ashtu si duhet ndaj Tij. Zoti ynë Jezus dëshiron nga ne që të mendojmë mirë për Të, që të mund të nënshtrohemi me gëzim ndaj autoritetit të Tij. Mendimet e larta ndaj Tij rrisin dashurinë tonë. Dashuria dhe vlerësimi shkojnë bashkë. Prandaj, besimtar, mendo shumë mbi shkëlqesitë e Zotit tënd. Studioje atë në lavdinë e Tij që prej përjetësisë përpara se të merrte natyrën tënde! Mendo mbi dashurinë e fuqishme që e tërhoqi prej fronit të Tij për të vdekur mbi kryq! Admiroje teksa mposht të gjitha fuqitë e ferrit! Shikoje të ngritur,të kurorëzuar, të përlëvduar! Përkulu përpara Tij si i Admirueshmi, Këshilltari, Perëndi i fuqishëm, sepse vetëm kështu do të jetë dashuria jote për Të ajo që duhet të jetë.
6 nëntor-mëngjes
“Sepse Unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje.”
{Isaia 44 :3}
Kur një besimtar ka rënë në një gjendje shpirtërore të ulët dhe të trishtuar, ai shpesh përpiqet të dalë prej saj duke ndëshkuar veten me frikëra të errëta dhe të zymta. Kjo nuk është kurrsesi mënyra për t’u ngritur lart prej pluhurit, përkundrazi. Aq sa zinxhiri ndihmon shqiponjën të ngrihet lart, aq edhe dyshimi ndihmon rritjen në hir. Nuk është ligji, por ungjilli që shpëton së pari shpirtin kërkues; dhe nuk është skllavëria ligjore, por liria e ungjillit që mund të rimëkëmbë më pas besimtarin e mekur. Frika prej skllavi nuk e sjell të pabesin përsëri tek Perëndia, por është dashuria e ëmbël që e tërheq te kraharori i Jezusit. A keni etje këtë mëngjes për Perëndinë e gjallë dhe jeni të palumtur sepse zemra juaj nuk po gjen ëndje në Të? A e keni humbur gëzimin e besimit dhe a është kjo lutja juaj, “Kthemë gëzimin e shpëtimit”? A jeni të ndërgjegjshëm gjithashtu se jeni djerrë ashtu si toka e thatë; se nuk po sillni ato fryte për Perëndinë që Ai ka të drejtë të presë prej jush; se ju nuk jeni aq të dobishëm në kishë, ose në botë, ashtu si zemra juaj dëshiron të jetë?
Atëherë këtu është pikërisht premtimi që ju keni nevojë, “Unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje.” Ju do të merrni hirin që sa shpesh e kërkuat dhe do ta keni atë deri në masën me të plotë të dëshirave tuaja. Uji freskon të eturin; ju do të freskoheni; dëshirat tuaja do të shpërblehen. Uji gjallëron natyrën e përgjumur; jeta juaj do të gjallërohet me hir të freskët. Uji bën të çelë sythi dhe bën frytin të piqet; ju do të keni hir të frytshëm; ju do të bëheni të frytshëm në udhët e Perëndisë. Çfarëdo cilësie të mirë që ka në hirin hyjnor, ju do ta gëzoni atë në plotësi. Të gjitha pasuritë e hirit hyjnor do t’i merrni në plotësi; ju do të jeni sikur të ishit të njomur me të dhe ashtu si ndonjëherë kullotat përmbyten prej lumenjsh shpërthyes dhe fushat kthehen në pellgje, po kështu ju do të jeni—toka e etur do të jetë me burime uji.
6 nëntor-mbrëmje
“Ky është gjaku i Besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju.”
{Hebrenjve 9 :20}
Ka fuqi të habitshme thjesht duke përmendur gjakun dhe pamja e tij është gjithmonë prekëse. Një zemër e butë nuk mund të durojë dot të shikojë një harabel të gjakoset dhe nëse nuk është i mësuar, largohet me tmerr prej një kafshe të vrarë. Përsa i përket gjakut të njeriut, është një gjë e kushtuar; është vrasje ta derdhësh atë në zemërim, është një krim i kobshëm ta derdhësh atë në luftë. A vjen ky solemnitet prej faktit se gjaku është jeta dhe derdhja e tij shenja e vdekjes? Kështu mendojmë ne. Kur ngrihemi lart duke soditur gjakun e Birit të Perëndisë, tmerri ynë rritet akoma më shumë dhe dridhemi tek mendojmë për fajin e mëkatit dhe dënimin e tmerrshëm që Mbajtësi i mëkatit duroi. Gjaku, gjithmonë i çmuar, është tejet i çmuar kur rrjedh prej ijës së Emanuelit. Gjaku i Jezusit vulos besëlidhjen e hirit dhe e bën atë përherë të sigurtë.
Besëlidhjet e vjetra u bënë me flijim dhe besëlidhja e përjetshme hyri në fuqi në të njëjtën mënyrë. Oh, kënaqësia e të qenit të shpëtuar mbi themelin e sigurtë të zotimeve hyjnore që nuk mund të shkelen! Shpëtimi me anë të veprave të ligjit është një anije e brishtë dhe e prishur që me siguri do të përmbytet, por anija e besëlidhjes nuk druan stuhi, sepse gjaku e mbron të tërën. Gjaku i Jezusit e bëri testamentin e Tij të vlefshëm. Shprehjet e vullneteve të fundit nuk kanë fuqi nëse trashëgimlënësi nuk vdes. Nën këtë dritë heshta e ushtarit është një ndihmë e bekuar për besimin, përderisa ajo provoi se Zoti ynë ishte me të vërtetë i vdekur. Nuk mund të ketë dyshime mbi këtë çështje dhe ne mund të zotërojmë me guxim trashëgiminë që Ai ka lënë për popullin e Tij. Lum ata që shohin të drejtën e tyre për bekimet qiellore të siguruara prej një Shpëtimtari që ka dhënë jetën e Tij. Por a nuk na flet vallë ky gjak? A nuk na shtrëngon të shenjtërohemi përmes Atij që na ka shpenguar? A nuk na thërret vallë në risi jete dhe a nuk na nxit për një përkushtim të plotë ndaj Zotit? Oh, fuqia e gjakut le të njihet dhe të ndjehet brenda nesh këtë natë!
7 nëntor-mëngjes
“Ja, Unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Mia.”
{Isaia 49 :16}
Pa dyshim që një pjesë e habisë që është e përqendruar në fjalën “ja,” nxitet prej vajtimit mosbesues të fjalëve të mëparshme. Sioni ka thënë “Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar”. Sa e habitur duket mendja hyjnore nga ky mosbesim i lig! Çfarë mund të ketë vallë diçka më të pakuptueshme se sa dyshimet e pathemelta dhe frikërat e popullit të favorizuar të Perëndisë? Fjala e dashur qortuese e Zotit duhet të na bëjë të skuqemi; Ai thërret, “Si vallë të mund të të harroj ndërsa të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Mia? Si guxon të dyshosh kujtesën Time të vazhdueshme, ndërsa përkujtimi është vendosur mbi vetë mishin tim?” O mosbesim, çfarë çudie e pakuptimtë që je! Ne nuk dimë se prej çfarë të çuditemi më shumë, prej besnikërisë së Perëndisë apo prej mosbesimit të popullit të Tij. Ai e mban premtimin e Tij një mijë herë dhe prapëseprapë sprova e mëpasshme na bën që ta dyshojmë.
Ai kurrë nuk dështon; Ai nuk është kurrë një pus i thatë; Ai nuk është kurrë një diell perëndues, një meteor kalimtar, ose avull i çastit, prapëseprapë ne jemi po aq vazhdimisht të munduar me ankthe, të bezdisur me dyshime dhe të shqetësuar me frikëra, sikur Perëndia ynë të ishte një mirazh në shkretëtirë. “Ja,” është një fjalë që synon të nxisë admirim. Këtu, me të vërtetë, ne kemi një temë për t’u mrekulluar. Qielli dhe toka mund të habiten që rebelët të mund të fitojnë një afërsi aq të madhe në zemrën e dashurisë së pafundme sa të jenë të shkruar mbi pëllëmbët e duarve të Tij. “Të kam gdhendur.” Nuk thotë, “emrin tënd.” Emri është aty, por kjo nuk është e gjitha; “të kam gdhendur.” Shiko plotësinë e kësaj! Kam gdhendur personin tënd, imazhin tënd, rastin tënd, rrethanat e tua, mëkatet e tua, tundimet e tua, dobësitë e tua, nevojat e tua, veprat e tua; të kam gdhendur, çdo gjë në lidhje me ty, gjithçka që ka të bëje me ty; të kam vendosur krejtësisht atje. A do të thuash përsëri se Perëndia të ka braktisur ndërsa të ka gdhendur mbi vetë pëllëmbët e Tij?
7 nëntor-mbrëmje
“Dhe do të bëheni dëshmitarët e Mi.”
{Veprat 1:8}
Në mënyrë që të mësosh se si të kryesh detyrën tënde si një dëshmitar për Krishtin, shikoni te shembulli i Tij. Ai është duke dëshmuar gjithmonë; tek pusi i Samarisë, ose në Tempullin e Jeruzalemit; tek liqeni i Gjenezaretit, ose mbi vetullën e malit. Ai është duke dëshmuar natë e ditë; lutjet e Tij të fuqishme janë po aq kumbuese për Perëndinë sa shërbimet e Tij të përditshme. Ai dëshmon nën çdo rrethanë; skribët dhe farisenjtë nuk mund ta mbyllin dot gojën e Tij; edhe përpara Pilatit Ai jep një dëshmi të mirë. Ai dëshmon aq qartë dhe dallueshëm sa nuk ka gabim te Ai. I krishterë, bëje jetën tënde një dëshmi të qartë. Ji si përroi ku mund të shihet çdo gur zalli në fund—jo si përroi i turbullt të cilit i shikoni vetëm sipërfaqen—por i kulluar dhe i kthjellët, kështu që zemërdashuria jote për Perëndinë dhe njerëzit të mund të jetë e dukshme për të gjithë.
Ti nuk ke pse thua, “jam i vërtetë;” ji i vërtetë. Mos u mburr për ndershmëri, por ji i ndershëm. Kështu që dëshmia jote do të jetë e tillë që njerëzit nuk mund të mos ta shohin. Mos e përmbaj kurrë dëshminë, prej frikës nga njeriu i dobët. Buzët e tua janë ngrohur prej një qymyri prej altarit; le të flasin ashtu si buzët qiellprekura duhet të flasin. “Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë.” Mos shiko retë as erën—gjatë stinës dhe jashtë saj dëshmo për Shpëtimtarin dhe nëse do të ndodhë se për hir të Krishtit dhe ungjillit do të durosh vuajtje në çdo formë, mos u tkurr, por gëzohu në nderin që të është dhënë, që je quajtur i denjë të vuash me Zotin tënd; dhe gjithashtu gëzohu edhe në këtë—se vuajtjet e tua, humbjet e tua dhe përndjekjet do të ngrenë lart një platformë nga ku do të dëshmosh më me tepër fuqi për Krishtin Jezus. Studio Shembullin tënd të madh dhe mbushu me Frymën e Tij. Kujto se ke nevojë për shumë mësim, shumë mbështetje, shumë hir dhe shumë përulësi, nëse dëshmia jote ka për të qenë për lavdinë e Mjeshtrit tënd.
8 nëntor-mëngjes
“Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin.”
{Kolosianëve 2 :6}
Jeta e besimit është e paraqitur si një veprim marrje—një veprim që nënkupton të kundërtën e çdo gjëje të ngjashme me meritën. Është thjesht pranimi i dhuratës. Po ashtu si toka që pi ujin dhe deti merr ujërat, po ashtu si nata pranon dritën prej yjeve, po ashtu ne, duke mos dhënë asgjë kemi pjesë falas në hirin e Perëndisë. Shenjtorët, nuk janë prej natyre puse ose burime ujërash; ata janë cisterna ku rrjedh ujë i gjallë; ata janë enë të zbrazëta ku Perëndia derdh shpëtimin e Tij. Idea e marrjes nënkupton vetëdijshmëri, duke e bërë çështjen realitet. Askush nuk mund të marrë dot një hije; ne marrim atë që është thelbësore; po kështu është në jetën e besimit, Krishti bëhet real për ne. Kur jemi pa besim Jezusi është thjesht një emër për ne—një njeri që jetoi shumë kohë më përpara, aq kohë më përpara sa jeta e tij është vetëm një histori për ne tani! Me një gjest besimi Jezusi bëhet një person i vërtetë në ndërgjegjen e zemrës sonë. Mirëpo të marrësh do të thotë gjithashtu të zotërosh ose të përvetësosh.
Çka marr bëhet e imja; e përvetësoj atë që është dhënë. Kur marr Jezusin, Ai bëhet Shpëtimtari im, po aq i imi sa as jeta e as vdekja nuk do të mundin dot të ma rrëmbejnë. E gjitha kjo është të marrësh Krishtin—ta marrësh si një dhuratë falas e Perëndisë; ta kesh në zemër dhe ta përvetësosh. Shpëtimi mund të përshkruhet si i verbëri që fiton shikimin, shurdhi që fiton dëgjim, i vdekuri që kthehet në jetë, por ne nuk kemi marrë vetëm këto bekime; ne kemi marrë gjithashtu vetë Krishtin Jezus. Është e vërtetë se Ai na dha jetë prej së vdekuri. Ai na dha faljen e mëkateve; na numëroi si të drejtë. Të gjitha këto janë gjëra të çmueshme, por ne nuk jemi të kënaqur veç me këto; ne kemi marrë vetë Krishtin. Biri i Perëndisë është derdhur brenda nesh, ne e kemi marrë Atë dhe e kemi përvetësuar. Sa zemërgjerë që është Jezusi, përderisa as vetë qielli nuk mund ta mbajë dot!
8 nëntor-mbrëmje
“Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e Mi?”
{Marku 14:14}
Jeruzalemi në kohën e Pashkës ishte një bujtinë e madhe; çdo vatër kishte ftuar miqtë e saj, por asnjëra nuk kishte ftuar Shpëtimtarin dhe Ai nuk kishte banesë të vetën. Ishte me anë të fuqisë së Tij mbinatyrore që gjeti një dhomë pritëse ku të festonte. Po kështu është dhe sot—Jezusi nuk mirëpritet mes bijve të njerëzve përveçse atje ku me anë të fuqisë dhe hirit të Tij mbinatyror Ai e bën zemrën të re. Të gjitha dyert janë mjaft të hapura për princin e errësirës, por Jezusi duhet të hapë një udhë për vetveten se përndryshe do të banonte jashtë në rrugë. Ishte përmes fuqisë misterioze të ushtruar prej Zotit tonë që i zoti i shtëpisë nuk bëri pyetje, por menjëherë me hare dhe gëzim hapi dhomën e tij të miqve. Kush ishte dhe çfarë ishte, ne nuk e dimë, por ai me gatishmëri e pranoi nderin që Shpenguesi i kërkoi.
Në të njëjtën mënyrë zbulohet akoma kush janë të zgjedhurit e Zotit dhe kush nuk janë, sepse kur ungjilli vjen te disa, ata luftojnë kundër tij dhe nuk e duan, por atje ku njerëzit e pranojnë, duke e mirëpritur, ky është një tregues i sigurtë se ka një vepër të fshehtë që po vepron në shpirt dhe se Perëndia i ka zgjedhur për jetën e përjetshme. Lexues i shtrenjtë, a do që të pranosh Krishtin? Atëherë nuk ka fare vështirësi; Krishti do të jetë miku yt; vetë fuqia e Tij po punon brenda teje, duke të të bërë të vullnetshëm. Çfarë nderi të presësh Birin e Perëndisë! Qiejt e qiejve nuk mund ta mbajnë dot dhe prapëseprapë Ai begenis të gjejë një banesë në zemrat tona! Ne nuk jemi të denjë që Ai të vijë nën çatinë tonë, por çfarë privilegji i pashprehshëm kur Ai begenis të hyjë brenda! Sepse atëherë Ai bën një gosti dhe na bën të festojmë bashkë me Të me gjellë të zgjedhura mbretërore; ne ulemi në një banket ku ushqimet janë të pavdekshme dhe i japin pavdekshmëri atyre që ushqehen me to. I bekuar qoftë mes bijve të Adamit ai që mirëpret engjëllin e Zotit.
9 nëntor-mëngjes
“Ecni në Të.”
{Kolosianëve 2:6}
Nëse kemi marrë vetë Krishtin në brendësinë më të thellë të zemrave tona, jeta jonë e re do ta shfaqë njohjen e ngushtë të Tij me një ecje besimi në Të. Të ecësh nënkupton veprim. Besimi ynë nuk duhet të kufizohet në kthinën tonë; ne duhet të zbatojmë me një efekt praktik atë që besojmë. Nëse një njeri ecën në Krishtin, atëherë Ai vepron po ashtu si Krishti do të vepronte, sepse Krishti duke qenë në të, shpresa e tij, dashuria e tij, gëzimi i tij, jeta e tij, ai është pasqyrimi i imazhit të Jezusit; dhe njerëzit thonë në lidhje me atë njeri, “ai është si Mjeshtri i tij; ai jeton si Jezu Krishti.” Të ecësh do të thotë përparim. “Ecni në Të,” vazhdo prej hiri në hir, vrapo përpara derisa të arrish shkallën më të lartë të njohurisë që një njeri mund të arrijë në lidhje me të Shumëdashurin tonë. Të ecësh nënkupton vazhdimësi. Duhet të ketë një qëndrim të vazhdueshme në Krishtin.
Sa shumë të krishterë mendojnë se veç në mëngjes dhe në mbrëmje duhet të hyjnë në shoqërimin e Jezusit ndërsa gjatë ditës zemrat e tyre u jepen botës, por kjo është një jetesë e varfër; ne duhet të jemi gjithmonë me Të, duke ecur në hapat e Tij dhe duke bërë vullnetin e Tij. Të ecësh nënkupton gjithashtu zakon. Kur flasim mbi ecjen dhe sjelljen e një njeriu ne e kemi fjalën për zakonet e tij, rrjedhën e vazhdueshme të jetës së tij. Tani, nëse ne ndonjëherë gëzojmë Krishtin dhe më pas e harrojmë Atë; ndonjëherë e quajmë tonin dhe më pas nuk e shtrëngojmë më, ky nuk është një zakon; ne nuk ecim në Të. Ne duhet ta ruajmë Atë, të bëhemi njësh me Të, pa e lënë kurrë të shkojë tutje, por të jetojmë dhe të kemi qenien tonë në Të. “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në Të.” Këmbëngulni në të njëjtën mënyrë siç filluat dhe ashtu si në fillim Krishti Jezus ishte mirëbesimi i besimit tuaj, burimi i jetës suaj, parimi i veprimit tuaj dhe gëzimi i frymës tuaj, le të jetë po ashtu pa ndryshuar deri në fund të jetës, kur ju ecni në luginën e hijes së vdekjes dhe hyni në gëzimin dhe prehjen që mbetet për popullin e Perëndisë. O Frymë e Shenjtë, na mundëso t’i bindemi këtij parimi hyjnor.
9 nëntor-mbrëmje
“Ai do të banojë në vende të larta, shkëmbinjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t’i jepet, uji i tij do t`i sigurohet.”
{Isaia 33:16}
A po dyshon o i krishterë, nëse Perëndia do të përmbushë apo jo premtimin e Tij? A do të merreshin tutje shkëmbinjtë e fortifikuar prej stuhisë? A nuk do të mjaftonin vallë depot e qiellit? A mendon vallë se Ati yt qiellor, edhe pse e di se ke nevojë për ushqim dhe veshje prapëseprapë do të të harrojë? Ndërsa as edhe një harabel nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tënd dhe vetë flokët e tu janë të numëruar, a nuk do t’i zësh besë dhe a do ta dyshosh vallë Atë? Ndoshta pikëllimi jot do të vazhdojë derisa të guxosh të mirëbesosh Perëndinë dhe veç atëherë do të mbarojë. Mund të ketë shumë që janë sprovuar dhe lënduar derisa së fundmi janë shpjerë në dëshpërim me qëllim që të ushtrojnë besimin në Perëndinë dhe çasti i besimit të tyre ka qenë çasti i çlirimit të tyre; ata kanë parë nëse Perëndia do ta mbante premtimin e Tij apo jo.
Oh, të lutem, mos e dysho më gjatë! Mos i bëj qejfin satanit dhe mos e lëndo veten duke i lejuar vetes ato mendime të padrejta për Perëndinë. Mos mendo se është gjë e vogël të dyshosh Jehovain. Kujto se është një mëkat dhe jo një mëkat i vogël, por krim në shkallën më të madhe. Engjëjt kurrë nuk dyshuan te Ai, as edhe djajtë; vetëm ne prej të gjitha krijesave që Perëndia ka formuar, e çnderojmë me mosbesim dhe e zvetënojmë nderin e Tij me dyshim. Sa turp për ne për këtë shkak! Perëndia ynë nuk meriton të dyshohet në këtë mënyrë; në jetën tonë të kaluar ne kemi pasur prova se Ai është i vërtetë dhe besnik ndaj fjalës së Tij; me aq shumë shembuj të dashurisë dhe mirësisë së Tij që kemi marrë dhe që i kemi marrë përditë nga duart e Tij, është e ulët dhe e pafalshme që tolerojmë qoftë dhe një dyshim të banojë brenda zemrës sonë. Këtej e tutje le të bëjmë luftë të vazhdueshme kundër dyshimeve kundrejt Perëndisë tonë—armiq të paqes sonë dhe nderit të Tij; dhe me një besim të patundshëm të besojmë se çfarë Ai ka premtuar është i fuqishëm ta bëjë. “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.”
10 nëntor-mëngjes
“Perëndia i kohëve të lashta është streha jote.”
{Ligji i përtërirë 33:27}
Fjala strehë mund të përkthehet “kështjellë,” ose “vendbanim,”që nënkupton se Perëndia është banesa jonë, shtëpia jonë. Ka një plotësi dhe një ëmbëlsi në këtë metaforë, sepse për zemrën tonë shtëpia jonë është e shtrenjtë, edhe sikur të ishte kasollja më e përulur, ose kthina më e vogël; dhe shumë më i shtrenjtë është Perëndia ynë i bekuar, sepse në Të lëvizim, jetojmë dhe jemi. Është në shtëpi që ne ndjehemi të sigurtë; ne e mbyllim jashtë botën dhe banojmë në një siguri të paqshme. Po ashtu kur jemi me Perëndinë tonë, ne nuk “druajmë asnjë të keqe.” Ai është streha jonë dhe skuta jonë, vendbanimi ynë. Në shtëpi ne çlodhemi; është atje ku gjejmë çlodhje mbas lodhjes dhe punës së rëndë të ditës. Dhe po ashtu zemrat tona gjejnë prehje në Perëndinë, kur të lodhur me konfliktet e jetës, ne kthehemi drejt Tij dhe shpirti ynë banon në prehje. Në shtëpi, gjithashtu, ne derdhim zemrat tona; ne nuk kemi frikë se keqkuptohemi ose se fjalët tona mund të keqkuptohen.
Po ashtu edhe kur jemi me Perëndinë, ne mund të kemi shoqëri lirisht me Të, duke zbuluar të gjitha dëshirat tona të fshehta; sepse nëse “sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej Tij”, sekretet e atyre që e kanë frikë duhet t’i tregohen Zotit të tyre. Po ashtu, shtëpia është vendi i lumturisë sonë më të vërtetë dhe më të pastër; dhe është në Perëndinë që zemrat tona gjejnë kënaqësinë e tyre më të thellë. Ne kemi gëzim në Të që tejkalon pa masë çdo gëzim tjetër. Është gjithashtu për shtëpinë që ne punojmë rëndë. Mendimi i saj na jep fuqi për të mbajtur barrën e përditshme dhe gjallëron gishtat për të kryer detyrën; dhe në këtë kuptim mund të themi gjithashtu se Perëndia është shtëpia jonë. Dashuria për Të na fuqizon. Ne mendojmë për Të në personin e Birit të Tij të dashur; dhe një shikim i fytyrës vuajtëse të Shpenguesit na shtrëngon për të punuar shumë në kauzën e Tij. Ne e ndjejmë se duhet të punojmë sepse kemi akoma vëllezër për të shpëtuar dhe kemi për të gëzuar zemrën e Atit tonë duke sjellë në shtëpi bijtë e Tij të hallakatur; ne do të mbushim me një hare të shenjtë familjen e shenjtë midis së cilës banojmë. Lum ata që kanë kështu Perëndinë e Jakobit për strehën e tyre!
10 nëntor-mbrëmje
“I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij.”
{Mateu 10:25}
Askush nuk do të diskutonte këtë thënie, sepse do të ishte e shëmtuar për një shërbëtor të lartësohej mbi mjeshtrin e tij. Kur Zoti ynë ishte në tokë, cili ishte trajtimi që mori? A u pranuan vallë kërkesat e tij, u ndoqën vallë udhëzimet e tij, u adhuruan vallë përkryerjet e tij, nga ata që Ai erdhi të bekojë? Jo; “Ai u përçmua dhe u hodh poshtë prej njerëzve.” Vendi i tij ishte jashtë kampit; mbajtja e kryqit ishte puna e tij. A i dha bota vallë ngushëllim dhe prehje? “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.” Ky vend mosmikpritës nuk i ofroi atij asnjë strehim; e nxori jashtë dhe e kryqëzoi. Kështu—nëse je një ndjekës i Jezusit dhe ruan një ecje dhe sjellje të qëndrueshme të ngjashme me Krishtin—duhet të presësh që jeta jote shpirtërore në zhvillimin e saj të jashtëm të bjerë nën vështrimin e njerëzve. Do të të trajtojnë ashtu si trajtuan Shpëtimtarin—do të të përçmojnë.
Mos ëndërro se njerëzit e botës do të të admirojnë, ose se sa më shumë i shenjtë dhe sa më i ngjashëm me Krishtin të jesh, aq më paqësisht njerëzit do të veprojnë kundrejt teje. Ata nuk çmuan perlën e lëmuar, si vallë do të çmonin gurin e çmuar të palatuar?; “nëse të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!” Nëse do të ishim më tepër si Krishti, do të urreheshim më shumë prej armiqve të tij. Do të ishte një çnderim i madh për fëmijën e Perëndisë të pëlqehej nga bota. Është ogurkeqe të dëgjosh një botë të ligë të duartrokasë dhe të thërrasë “bravo” për besimtarin e krishterë. Ai duhet të fillojë të këqyrë karakterin e tij dhe të pyesë veten nëse është duke bërë gabim, ndërsa të padrejtët i japin atij pëlqimin e tyre. Le t’i jemi besnikë Mjeshtrit tonë dhe të mos kemi miqësi me një botë të ulët dhe të verbër që e përqesh dhe e hedh poshtë Atë. Larg prej nesh të kërkojmë një kurorë nderi atje ku Zoti ynë gjeti një kurorë gjembash.
11 nëntor-mëngjes
“Poshtë teje ndodhen krahët e Tij të përjetshëm.”
{Ligji i përtërirë 33 :27}
Perëndia—Perëndia i përjetshëm—vetë Ai është mbështetja jonë në çdo kohë dhe veçanërisht kur jemi duke u zhytur në telash të thellë. Ka periudha kur i krishteri gjendet shumë poshtë në gjendjen e tij shpirtërore. Nën një ndijim të thellë të mëkatshmërisë së tij të madhe, ai përulet aq shumë përpara Perëndisë sa zor se di se si të lutet, sepse i duket vetja kaq i pavlerë. Atëherë, fëmijë i Perëndisë, kujto se kur je në gjendjen tënde më të keqe dhe më të ulët, prapëseprapë “poshtë teje” janë “krahët e Tij të përjetshëm.” Mëkati mund të të tërheqë shumë poshtë, por shlyerja e madhe e Krishtit është akoma poshtë teje. Mund të kesh zbritur në thellësira, por nuk mund të kesh rënë aq “plotësisht” ulët; dhe plotësisht Ai shpëton. Përsëri, i krishteri ndonjëherë zhytet shumë thellë në sprova të rënda që vijnë nga jashtë. Çdo mbështetje tokësore është e prerë. Çfarë atëherë? Akoma poshtë tij janë “krahët e përjetshëm.” Ai nuk mund të bjerë kaq thellë në trishtim dhe pikëllim, por hiri i besëlidhjes i një Perëndie përherë besnik do ta rrethojë përsëri. I krishteri mund të zhytet nën telash që vjen prej së brendshmi nga zemra duke pasur konflikt të ashpër, por edhe atëherë ai nuk mund të sillet aq poshtë sa të jetë përtej arritjes se “krahëve të përjetshme”–ato janë poshtë tij; dhe ndërsa mbështetet në këtë mënyrë, të gjitha përpjekjet e satanit për ta dëmtuar nuk kanë vlerë.
Kjo siguri mbështetjeje është një ngushëllim për çdo punëtor të lodhur, por këmbëngulës në shërbimin e Zotit. Ajo nënkupton një premtim force për çdo ditë, hir për çdo nevojë dhe fuqi për çdo detyrë. Më pas, kur vdekja vjen, premtimi nuk do të tundet. Kur ne qëndrojmë në mes të Jordanit, do të mund të themi me Davidin, “nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse Ti je me mua.” Ne do të zbresim në varr, por nuk do të shkojmë më poshtë, sepse krahët e përjetshëm na ruajnë prej rënies së mëtejshme. Përgjatë gjithë jetës dhe në përfundimin e saj, do të mbështetemi prej “krahëve të përjetshëm”–krahë që as nuk lëshojnë as humbin forcën e tyre, sepse “Perëndia i përjetësisë nuk mundohet dhe nuk lodhet.”
11 nëntor-mbrëmje
“Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë.”
{Psalmi 47 :4}
Besimtar, nëse trashëgimia jote është e varfër ti duhet të jesh i kënaqur me pjesën tënde tokësore, sepse ta dish me siguri se është më e përshtatshmja për ty. Urtësia e pagabueshme caktoi riskun tënd dhe përzgjodhi për ty gjendjen më të mirë dhe më të sigurtë. Një anije e një tonazhi të madh duhet të kalojë në një lumë; tani, në një pjesë të rrymës gjendet breg ranor; nëse dikush do të vinte dhe të pyeste, “Pse kapiteni drejtohet drejt pjesës së thellë të kanalit dhe mënjanon kaq shumë prej vijës të drejtë të lundrimit?” Përgjigja e tij do të ishte, “sepse nuk do ta çoja aspak anijen time në liman nëse nuk do të vazhdoja në kanalin e thellë.” Kështu, edhe për ty, mund të ngecje në cekëtinë dhe të përmbyteshe, nëse Kapiteni yt hyjnor nuk do të të drejtonte në thellësitë e trishtimit ku dallgët e telasheve ndjekin njëra tjetrën me ritëm të shpejtë.
Disa bimë vyshken nëse kanë shumë ndriçim dielli. Mund të ndodhë se ti je mbjellur atje ku merr pak rreze, por je vendosur atje prej Bujkut të dashur, sepse vetëm në atë situatë do të sjellësh fryte të përkryera. Kujto këtë, nëse ndonjë gjendje më e mirë do të kishte qenë më e mirë për ty se ajo në të cilën gjendesh tani, dashuria hyjnore do të të kishte vendosur atje. Ti je vendosur prej Perëndisë në rrethanat më të përshtatshme dhe nëse do të kishe mundësi të zgjidhje vetë riskun tënd, shpejt do të thërrisje, “Zot, zgjidh trashëgiminë për mua, sepse me anë të egoizmit tim jam i tejshpuar me shumë pikëllime.” Ji i kënaqur me ato gjëra që ke, përderisa Zoti i ka caktuar të gjitha gjërat për të mirën tënde. Merr mbi vete kryqin tënd të përditshëm; është barra më mirë e përshtatshme për shpatullën tënde dhe do të dalë tepër efektive për të të bërë të përkryer në çdo fjalë dhe vepër të mirë për lavdinë e Perëndisë. Poshtë ti egoizëm dhe padurim krenar, nuk të përket ty të zgjedhësh, por Zotit të Dashurisë!
Sprovat duhet dhe do të ndodhin—
Por duke parë me besim të përulur
Mbi to të gjitha dashurinë e nënshkruar
Kjo më bën të lumturuar.
12 nëntor-mëngjes
“Prova e besimit tuaj.”
{1 Pjetër 1 :7}
Besimi i pasprovuar mund të jetë besim i vërtetë, por është e sigurtë që është besim i vogël dhe është e mundur që të mbesë xhuxhmaxhuxh për aq gjatë sa mbetet pa sprova. Besimi kurrë nuk përparon aq mirë se sa kur të gjitha gjërat janë kundër tij; stuhitë janë mësuesit e tij dhe shkreptimat janë ndriçuesit e tij. Kur bunaca mbretëron mbi det, hapi velat si të duash, anija nuk lëviz drejt limanit, sepse në një det dremitës edhe anija fle. Erërat le të vërtiten me furi dhe ujërat le të ngrihen lart dhe edhe pse anija shkundet, kuverta laget prej dallgëve dhe direku kërcet nën presionin e velave valëvitëse dhe të fryra, veçse kështu ajo drejtohet drejt limanit të dëshiruar. Asnjë lule nuk vesh një blu kaq të këndshme sa ajo që rritet nën rrëzën e akullnajës; asnjë yll nuk shkëlqen aq ndritshëm sa ai që ndriçon në qiellin polar; asnjë burim nuk ka shije aq të ëmbël sa ai që del mes rërës së shkretëtirës; dhe asnjë besim nuk është aq i çmuar sa ai që jeton dhe triumfon mes sprovave.
Besimi i sprovuar sjell përvojën. Ti nuk do ta besoje kurrë dobësinë tënde nëse nuk do të ishe shtrënguar të kaloje përmes lumenjve; dhe ti nuk do ta kishe njohur kurrë fuqinë e Perëndisë nëse nuk do të ishe përkrahur mes ujërave. Besimi rritet në fortësi, siguri dhe intensitet, sa më shumë që ushtrohet me vështirësi. Besimi është i çmuar dhe sprova e tij është e çmueshme gjithashtu. Prapëseprapë kjo le të mos shkurajojë ata që janë të rinj në besim. Ju do të keni mjaft sprova edhe pa i kërkuar ato; do t’ju jepet një masë e plotë në kohën e duhur. Ndërkohë, ndërsa nuk mund të pretendosh dot këtë rezultat të përvojës të gjatë, falëndero Perëndinë për atë hir që ke; lavdëroje Atë për atë shkallë mirëbesimi të shenjtë ku ke arritur; ec sipas kësaj rregulle dhe do të kesh akoma më shumë prej bekimeve të Perëndisë, derisa besimi yt do të lëvizë malet dhe do të mposhtë të pamundurat.
12 nëntor-mbrëmje
“Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.”
{Lluka 6 :12}
Nëse ndokush i lindur prej gruas do të mund të kishte jetuar pa lutje, ai ishte Zoti ynë i përkryer, i panjollë dhe prapëseprapë askush nuk ishte aq shumë në përgjërim sa Ai! E tillë ishte dashuria e Tij për Atin, sa deshi shumë të ishte në shoqërim me Të; e tillë ishte dashuria për popullin e Tij sa Ai dëshiroi të ndërhyjë shumë për të. Ky bollëk lutje i Jezusit është një mësim për ne—Ai na ka dhënë një shembull që të ecim në hapat e Tij. Koha që Ai zgjodhi ishte e admirueshme, ishte ora e qetësisë, kur turma nuk do ta shqetësonte; koha kur askush lëvizte, kur të gjithë përveç Atij po pushonin; dhe periudha kur njerëzit e përgjumur harrojnë përbetimet e tyre dhe reshtin të luten për lehtësim. Kur të tjerët çlodhen në gjumë, Ai ripërtërihej me lutje. Vendi gjithashtu ishte i përzgjedhur mirë. Ai ishte vetëm atje ku askush nuk do të hynte vjedhurazi, atje ku askush nuk mund të vërente; kështu Ai ishte i lirë prej mburrjes prej fariseu dhe ndërhyrjeve të vrazhda.
Ato kodra të errëta dhe të heshtura ishin një foltore e përshtatshme për Birin e Perëndisë. Qielli dhe toka në qetësinë e mesnatës dëgjuan psherëtimat e Qenies misterioze ku të dy botët ishin bashkuar. Vazhdimësia e përgjërimeve të tij është e jashtëzakonshme; netët pa gjumë nuk ishin shumë të gjata; era e ftohtë nuk ftohu përkushtimet e tij; errësira e zymtë nuk errësoi besimin e tij, as vetmia nuk pushoi dot përgjërimet e tij të përhershme. Ne nuk mund të jemi vigjilentë me të një orë, por ai e bëri këtë gjë për netë të tëra. Kjo kohë lutje u bë me një rast të veçantë; ishte mbasi armiqtë e tij u tërbuan ndaj tij—lutja ishte streha dhe ushqimi i tij; ishte përpara se të dërgonte të dymbëdhjetë apostujt—lutja ishte nisja e ndërmarrjes së tij, korrieri i veprës së tij të re. A nuk do të mësonim vallë prej Jezusit për të përdorur lutje të posaçme kur jemi nën sprovë të veçantë, ose për të menduar për përpjekje të reja për lavdinë e Mjeshtrit? Zot Jezus, na mëso të lutemi.
13 nëntor-mëngjes
“Shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja.”
{Gjoni 15:4}
Si filluat të jepni fryt? Ndodhi kur erdhët tek Jezusi dhe e hodhët veten në shlyerjen e Tij të madhe dhe u prehët në drejtësinë e Tij të përmbushur. Ah! çfarë fryti që patët atëherë! A i mbani mend ato ditë të hershme? Atëherë me të vërtetë vreshti lulëzoi, cepi i rrushit u shfaq, shegët çelën sytha dhe fusha e erëzave lëshoi aromën e tyre. A jeni venitur që asokohe? Nëse po, ju bëjmë thirrje të kujtoni atë periudhë dashurie, të pendohuni dhe të bëni veprat e para. Këmbëngulni në vazhdimësi në ato angazhime që i keni provuar me përjetim se ju tërheqin afër Krishtit, sepse është prej Tij që vijnë të gjitha frytet.
Çdo ushtrim i shenjtë që do t’ju sjellë te Ai, do t’ju ndihmojë të jepni fryte. Dielli është, pa dyshim, një punëtor i madh në formimin e fryteve mes pemëve të kopshtit dhe Jezusi është akoma më shumë ashtu mes pemëve të kopshtit të Tij të hirit. Kur keni qenë më pak frytdhënës? A nuk ka ndodhur kjo ndërsa keni jetuar shumë larg prej Zotit Jezu Krisht, kur jeni lëshuar në lutje, ndërsa jeni larguar prej thjeshtësisë së besimit, ndërsa hiret tuaja ju kanë nxjerr më shumë në pah juve në vend të Zotit, ndërsa keni thënë, “Mali im qëndron i fortë,nuk do të tundem,” dhe keni harruar se ku forca juaj banon—a nuk ka qenë pikërisht në këto kohë kur frytet tuaja kanë reshtur? Disa nga ne janë mësuar se nuk kemi asgjë jashtë Krishtit, me anë përuljesh zemre të tmerrshme përpara Zotit; dhe kur kemi parë djerrinën e plotë dhe vdekjen e çdo fuqie të krijesës, kemi klithur në ankth, “Prej Tij çdo fryt i imi duhet të vijë, sepse asnjë fryt nuk mund të vijë prej meje.” Ne jemi mësuar, prej përjetimit të kaluar, se aq më thjesht të varemi prej hirit të Perëndisë në Krisht dhe presim prej Frymës së Shenjtë, aq më tepër do të sjellim fryt për Perëndinë! Oh! të besosh Jezusin për fryte po ashtu si edhe për jetën.
13 nëntor-mbrëmje
“Duhet të lutemi vazhdimisht (njerëzit duhet të luten vazhdimisht).”
{Lluka 18 :1}
Nëse njerëzit duhet gjithmonë që të luten dhe të mos lëshohen, aq më tepër të krishterët. Jezusi ka dërguar kishën e Tij mes botës me të njëjtën detyrë për të cilën Ai vetë erdhi dhe ky mision përfshin ndërhyrjen. Po sikur të thosha se kisha është prifti i botës? Krijesa është memece, por kisha duhet të jetë një gojë për të. Është privilegji i madh i kishës që lutjet e saj gjejnë miratim. Porta e hirit është gjithmonë e hapur për kërkesat e saj dhe ato kurrë nuk kthehen mbrapa duarbosh. Veli u gris për të, gjaku u spërkat mbi altarin për të, Perëndia vazhdimisht e fton atë të kërkojë çfarë do që dëshiron. A do ta refuzojë ajo vallë privilegjin që vetë engjëjt mund t’ia kenë lakmi? A nuk është ajo vallë nusja e Krishtit? A nuk mund të shkojë vallë ajo te Mbreti i saj në çdo orë? A do të lejojë ajo që privilegji i çmuar të mos përdoret? Kisha përherë ka nevojë për lutje. Ka gjithmonë disa në mes të saj që po kërrusen, ose që po bien në mëkat të hapur. Ka qengja për të cilët duhet lutur, në mënyrë që të mund të sillen në kraharorin e Krishtit; nevojiten lutje për të fortin që të mos bëhet krenar dhe për të dobëtin që të mos dëshpërohet.
Edhe sikur të mbanim takime lutje njëzet e katër orë në ditë, të gjithë ditët e vitit, nuk do të ishim kurrë pa një subjekt të veçantë për përgjërim. A jemi vallë ndonjëherë pa të sëmurin dhe të varfrin, të pikëlluarin dhe të lëkundurin? A jemi vallë ndonjëherë pa ata që kërkojnë kthimin në besim të afërmeve të tyre, rikthimin e të pabesëve, ose shpëtimin e të shthururve? Jo, me bashkësitë vazhdimisht duke u mbledhur, me pastorët gjithmonë duke predikuar, me miliona mëkatarë që dergjen të vdekur në shkelje dhe mëkate, në një vend që me siguri po kaplohet nga errësira e Romanizmit; në një botë plot me idhuj, mizori, djallëzi, nëse Kisha nuk lutet, si vallë do t’ia falte vetes lënien pas dorë kaq ulët të porosisë së Zotit të saj të dashur? Le të jetë pra kisha vazhdimisht në përgjërim, çdo besimtar le ta hedhë qindarkën e tij të lutjes në thesar.
14 nëntor-mëngjes
“Ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit por duke iu betuar dhe Malkamit.”
{Sofonia 1:5}
Të tillë persona e menduan veten të sigurtë sepse ishin me të dy anët; ata shkonin bashkë me ndjekësit e Jehovait dhe i përkuleshin në të njëjtën kohë Malkamit. Mirëpo dyfytyrësia është e neveritshme për Perëndinë dhe shpirti i Tij urren hipokrizinë. Njeriu idhujtar që ia kushton veten hapur zotit të tij të rremë, ka një mëkat më pak se ai që sjell flijimin e tij të urryeshëm dhe të ndotur në tempullin e Zotit, ndërsa zemra e tij është me botën dhe mëkatet e saj. Të shkosh me të dyja palët është diçka e poshtër. Në çështjet e zakonshme të jetës së përditshme, një njeri me mendje të ndarë është i përçmuar, por në çështjet e besimit ai është i urryeshëm në shkallën më të fundit. Dënimi i shprehur në vargun përpara nesh është i tmerrshëm, por është i mirëmerituar, sepse si vallë drejtësia hyjnore do të mund të kursejë mëkatarin, që e njeh të drejtën, e miraton, pretendon se e ndjek dhe ndërkohë do të ligën dhe i jep pushtet në zemrën e tij? Shpirti im, këqyr veten tënde këtë mëngjes dhe shiko nëse je fajtor për një sjellje të dyfishtë.
Ti pretendon se je një ndjekës i Jezusit—a e do me të vërtetë Atë? A është zemra jote e drejtë me Perëndinë? A po ndjek ndershmërinë apo hipokrizinë? Një emër me famë vlen pak nëse jam i vdekur në shkelje dhe mëkate. Të kesh një këmbë në tokën e së vërtetës dhe një tjetër në detin e gënjeshtrës, do të ketë si rrjedhojë një rënie të tmerrshme dhe një shkatërrim të plotë. Krishti do të jetë gjithçka ose asgjë. Perëndia mbush të gjithë universin dhe nuk ka vend për një tjetër zot; nëse atëherë Ai mbretëron në zemrën time, nuk do të ketë hapësirë për një tjetër pushtet mbretërues. A prehem vetëm në Jezusin e kryqëzuar dhe jetoj vetëm për Të? A është dëshira ime të bëj kështu? A është e bindur zemra ime të bëj kështu? Nëse është kështu, i bekuar qoftë hiri i fuqishëm që më ka udhëhequr në shpëtim; dhe nëse nuk është kështu, o Zot, më fal fyerjen time dhe bëje një të vetme zemrën time për të pasur frikë emrin Tënd.
14 nëntor-mbrëmje
“Labano u përgjegj:”Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë,nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.”
{Zanafilla 29 :26}
Ne nuk e falim Labanon për pandershmërinë e tij, por nuk duhet të tregojmë skrupuj për të mësuar prej zakonit që ai shprehu në justifikimin e tij. Ka disa gjëra që duhet të merren me rregull dhe nëse do të donim të fitojmë të dytën duhet të sigurojmë të parën. E dyta mund të jetë më e dashur nën sytë tanë, por rregulla e vendit qiellor duhet të mbizotërojë dhe më e madhja duhet të martohet e para. Për shembull, shumë njerëz dëshirojnë të favorizuarën dhe të bukurën Rakelë të gëzimit dhe paqes në besim, por ato duhet të martohen së pari me Lean me sy të perënduar të pendimit. Secili bie në dashuri me lumturinë dhe shumë do të shërbenin dy herë shtatë vjet për ta gëzuar atë, por sipas rregullës së mbretërisë së Zotit, Lea e shenjtërisë së vërtetë duhet të dashurohet prej shpirtit tonë përpara se Rakela e lumturisë së vërtetë të mund të arrihet. Qielli nuk qëndron i pari, por i dyti dhe vetëm duke këmbëngulur deri në fund ne mund të fitojmë një pjesë të tij. Kryqi duhet të mbahet përpara se kurora të vihet. Ne duhet të ndjekim Zotin tonë në përulësinë e Tij, ose përndryshe nuk do të prehemi kurrë me Të në lavdi.
Shpirti im, çfarë po thua, a je vallë kaq pa mend sa të shpresosh të thyesh rregullën qiellore? A shpreson vallë të shpërblehesh ose të nderohesh pa punuar rëndë? Hidh poshtë pritjen përtace dhe ji i kënaqur të marrësh gjërat jo të mira për hir të dashurisë së ëmbël të Jezusit, që do të të shpërblejë ty për gjithçka. Në një frymë të tillë, duke punuar shumë dhe duke vuajtur, hidhërimet do të shndërrohen në ëmbëlsi dhe gjërat e vështira do të kthehen në gjëra të lehta. Ashtu si Jakobi, vitet e tua të shërbimit do të të duken veçse pak ditë për dashurinë që ke për Jezusin; dhe kur ora e shtrenjtë e festës së martesës do të vijë, të gjitha punët e tua të rënda do të jenë sikur nuk kanë ekzistuar kurrë—një orë me Jezusin do të të bëjë të harrosh kohët e dhembjes dhe të punës së rëndë.
Për të të pasur ty o Jezus i hirshëm
Kryqin tënd do të mbaj me gëzim
Sipas rregullave të qiellit të caktuara
Të dytën do ta fitoj mbas së parës.
15 nëntor-mëngjes
“Pjesa e Zotit është populli i Tij.”
{Ligji i përtërirë 32:9}
Në ç’mënyrë ata janë të Tijët? Me anë të zgjedhjes së Tij sovrane. Ai i zgjodhi dhe vendosi dashurinë e Tij mbi ta. Këtë Ai e bëri tërësisht jo për shkak të ndonjë mirësie të tyren në atë kohë, ose ndonjë mirësie të tyren që parashikoi. Ai ka mëshirë për ata që ka mëshirë dhe caktoi një popull të zgjedhur për jetën e përjetshme; kështu, prandaj, ata i përkasin Atij prej zgjedhjes së Tij të pakushtëzuar. Ata nuk i përkasin Atij vetëm me anë të zgjedhjes, por me anë të blerjes gjithashtu. Ai i ka shlyer dhe ka paguar për ta deri në qindarkën e fundit, kështu që nuk mund të ketë diskutim përsa i përket titullit të Tij. Jo me gjërat e korruptueshme, si ari ose argjendi, por me gjakun e çmuar të Zotit Jezu Krisht, pjesa e Zotit është shlyer plotësisht. Pronat e Tij nuk kanë barra ligjore; asnjë gjyq nuk mund të ngrihet prej pretenduesve kundërshtarë, çmimi u pagua në gjyq të hapur dhe kisha zotërohet prej Zotit përherë. Shiko shenjën e gjakut mbi të gjithë të zgjedhurit, e padukshme për syrin njerëzor, por e njohur prej Krishtit, sepse “Zoti i njeh të vetët;” Ai nuk harron asnjë prej atyre që ka shpenguar mes njerëzve; Ai numëron delet për të cilat dha jetën e tij dhe kujtohet për kishën për të cilën dha veten.
Ata i përkasin gjithashtu me anë të fitores. Çfarë beteje që Ai zhvilloi brenda nesh përpara se të dorëzoheshim! Sa gjatë që rrethoi zemrat tona! Sa shpesh na ka kërkuar të kapitullojmë, mirëpo ne i vendosëm para pengesa dhe barrikada. A nuk e mbajmë mend vallë atë orë të lavdishme kur Ai mposhti zemrat tona dhe ngadhënjeu? Kur Ai vendosi kryqin e Tij mbi mur dhe u ngjit mbi ledhet tona, duke ngulitur në fortifikatat tona flamurin e kuq gjak të mëshirës së Tij të plotfuqishme? Po, ne jemi, me të vërtetë, skllevërit e fituar të dashurisë së Tij të plotfuqishme. Kështu pra duke qenë të zgjedhur, të blerë, të nënshtruar, të drejtat e zotëruesit tonë hyjnor janë të patjetërsueshme; ne gëzohemi se kurrë nuk mund t’i përkasim më vetvetes; dhe dëshirojmë, ditë për ditë, të bëjmë vullnetin e Tij dhe të shfaqim lavdinë e Tij.
15 nëntor-mbrëmje
“Forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.”
{Psalmi 68:28}
Është urtësia jonë, po ashtu nevojshmëria jonë, të përgjërojmë Perëndinë vazhdimisht për të forcuar atë që Ai ka bërë për ne. Është për shkak se shumë të krishterë lënë pas dore këtë përgjërim që janë vetë fajtorë për ato sprova dhe pikëllime që ngrihen prej mosbesimit. Është e vërtetë se satani kërkon të përmbysë kopshtin e hirshëm të zemrës dhe ta bëjë atë një vend dëshpërimi, por është gjithashtu e vërtetë se shumë të krishterë lënë portat e digës hapur dhe lënë të depërtojë brenda përmbytja e tmerrshme prej pakujdesisë dhe mungesës së lutjes ndaj Ndihmuesit të tyre të madh. Ne shpesh harrojmë se Autori i besimit tonë duhet të jetë Ruajtësi i tij gjithashtu. Llamba që digjej në tempull nuk lejohej kurrë të shuhej, por duhet të mbushej përditë me vaj të freskët; në të njëjtën mënyrë, besimi ynë mund të jetojë vetëm duke u mbajtur prej vajit të hirit dhe këtë gjë mund ta fitojmë vetëm prej vetë Perëndisë.
Do të ishim si virgjëreshat e çmendura nëse nuk sigurojmë furnizimin e nevojshëm për llambat tona. Ai që ndërtoi botën e mban atë, ose përndryshe do të binte poshtë me një rrëzim të tmerrshëm; Ai që na bëri të krishterë do të na mbajë me anë të Frymës së Tij, ose rrënimi jonë do të ishte i shpejtë dhe përfundimtar. Le të shkojmë pra, çdo mbrëmje, te Zoti ynë për hirin dhe forcën që kemi nevojë. Ne kemi një argument të fortë mbrojtje, sepse është për vetë veprën e Tij të hirit që ne i kërkojmë Atij të forcojë—”sa ka bërë për ne.”A mendoni vallë se Ai do të dështojë të ruajë dhe të mbështesë çfarë ka bërë për ne? Veçse lëreni besimin tuaj të mbërthejë forcën e Tij dhe të gjitha fuqitë e errësirës, të udhëhequra prej krye demonit të ferrit, nuk mund të hedhin as edhe një re ose një hije mbi gëzimin dhe paqen tuaj. Pse të mekeni vallë kur mund të jeni të fortë? Pse të vuani mposhtjen kur mund të fitoni? Oh! çojani besimin tuaj luhatës dhe hiret tuaja të venitura Atij që mund t’i ringjallë dhe t’i rimbushë dhe lutuni me këmbëngulje, “Forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.”
16 nëntor-mëngjes
“Zoti është pjesa ime,” thotë shpirti im.
{Vajtimet 3:24}
Nuk shkruhet “Zoti është pjesërisht pjesa ime,” ose “Zoti është në pjesën time;” por Ai vetë përmbledh gjithë trashëgiminë e shpirtit tim. Brenda perimetrit të atij rrethi qëndron gjithçka që zotërojmë ose dëshirojmë. Zoti është pjesa ime. Jo thjesht hiri i Tij, ose dashuria e Tij, ose besëlidhja e Tij, por vetë Jehovai. Ai na ka zgjedhur për pjesë të Tij dhe ne e kemi zgjedhur Atë për pjesën tonë. Është e vërtetë se Zoti duhet së pari të zgjedhë trashëgiminë tonë për ne, ose përndryshe nuk do ta zgjedhim kurrë për veten tonë, por nëse jemi me të vërtetë të thirrur sipas qëllimit të dashurisë zgjedhëse, ne mund të këndojmë—
Perëndia më do për veten e Tij
Me dashuri të madhe digjem për Të;
Para se koha të ekzistonte jam zgjedhur prej Tij
Edhe unë i përgjigjem duke e zgjedhur.
Perëndia është pjesa jonë e gjithëmjaftueshme. Perëndia mbush vetveten; dhe nëse Zoti është i gjithëmjaftueshëm në Vetvete, Ai duhet të jetë i gjithëmjaftueshëm për ne. Nuk është e lehtë të kënaqësh dëshirat e njerëzve. Kur njeriu mendon se është i kënaqur, pas pak dallon se ka diçka akoma përtej dhe menjëherë shushunja në zemrën e tij thërret, “më jep, më jep.” Por gjithçka që mund të dëshirojmë është për t’u gjetur në pjesën tonë hyjnore, kështu që ne pyesim, “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje”. Ne mund të “gjejmë kënaqësinë tonë Zotin” që na jep të pimë në lumin e kënaqësive të Tij. Besimi ynë shtrin krahët dhe ngrihet si një shqiponjë në qiellin e dashurisë hyjnore si vendi i saj i banimit. “Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.” Le të gëzohemi në Zotin përherë; le t’i tregojmë botës se jemi një popull i bekuar dhe i lumtur dhe kështu t’i nxisim të thërrasin, “Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju”.
16 nëntor-mbrëmje
“Sytë e tu do të sodisin bukurinë e Mbretit tënd.”
{Isaia 33 :17}
Aq më shumë që dini për Krishtin aq më pak do të jeni të kënaqur me pamje sipërfaqësore të Tij; dhe aq më thellë studioni veprimet e Tij në besëlidhjen e përjetshme, zëvendësimin në vendin tuaj si Siguria e përjetshme dhe plotësinë e hirit të Tij që shkëlqen në të gjitha ofiqet e Tij, aq më me vërtetësi do të sodisni Mbretin në bukurinë e Tij. Qëndroni shumë në të tilla soditje. Dëshironi me zjarr akoma më shumë për të parë Jezusin. Përsiatja dhe soditja janë shpesh si dritaret përmes të cilave ne shikojmë Shpenguesin. Soditja vë teleskopin në sy dhe na mundëson të shikojmë Jezusin në një mënyrë më të mirë se sa do ta kishim parë nëse do të kishim jetuar në kohën e tij. Qoftë sjellja jonë akoma më shumë qiellore dhe ah sikur të merreshim më tepër me personin, veprën dhe bukurinë e Zotit tonë të mishëruar.
Më tepër soditje dhe bukuria e Mbretit do të vetëtijë mbi ne akoma më me tepër shkëlqim. Të dashur, është shumë e mundur që të kemi një pamje të tillë të Mbretit tonë të lavdishëm ashtu si nuk e kemi pasur kurrë, kur jemi gati për të vdekur. Shumë shenjtorë në çastin e vdekjes kanë parë sipër midis ujërave të tërbuar, kanë parë Jezusin duke ecur mbi dallgët e detit dhe e kanë dëgjuar të thotë, “Jam unë, mos ki frikë.” Ah, po! kur banesa jonë fillon të dridhet dhe argjila bie, ne shikojmë Krishtin përmes të çarave dhe midis trarëve drita e diellit hyn brenda. Mirëpo nëse do të donim të shikonim ballë për ballë “Bukurinë e Mbretit tonë” duhet që të shkojmë në qiell lart, ose Mbreti duhet të zbresë poshtë. Oh, ardhtë mbi krahët e erës! Ai është dhëndri ynë dhe ne jemi si të ve prej mungesës së Tij; Ai është vëllai ynë i shtrenjtë dhe i hirshëm dhe ne jemi vetëm pa Të. Re dhe vello të trasha varen mes shpirtrave tanë dhe jetës së tyre të vërtetë; kur do të fillojë dita vallë dhe hijet të largohen tutje? Oh, ditë e shumëpritur, fillo!
17 nëntor-mëngjes
“Lavdi atij përjetë! Amen!”
{Romakëve 11:36}
“Lavdi atij përjetë! Amen!” Kjo duhet të jetë dëshira e vetme e të krishterit. Të gjitha dëshirat e tjera duhet t’i nënshtrohen kësaj dëshire. I krishteri mund të dëshirojë për begati në biznesin e tij, por ama deri në atë pikë sa mund ta ndihmojë për të ngritur lart—”Lavdi atij përjetë! Amen!” Ai mund të dëshirojë të arrijë më tepër dhunti dhe më tepër hire, por duhet vetëm me qëllimin e “Lavdi atij përjetë!” Ti nuk po vepron siç duhet kur shtyhesh prej ndonjë motivi tjetër nga përkushtimi për lavdinë e Zotit tënd. Duke qenë i krishterë, ti je “i Perëndisë dhe me anë të Perëndisë,” prandaj pra jeto “për Perëndinë.” Mos lër asgjë që të bëj zemrën tënde të rrahë më fuqishëm se sa nga dashuria për Të. Kjo ambicie le të ndezë shpirtin tënd; le të jetë ky themeli i çdo ndërmarrje që fillon dhe motivi mbështetës sa herë që zelli yt të ftohej; bëje Perëndinë të vetmin qëllim tëndin. Varu te Ai; atje ku vetja fillon, trishtimi fillon, por nëse Perëndia është kënaqësia ime supreme dhe qëllimi im i vetëm,
Për mua pak rëndësi ka çfarë dashuria cakton
Jetën time ose vdekjen—lehtësim apo dhimbje
Le të jetë dëshira jote për lavdinë e Perëndisë një dëshirë në rritje e sipër. Ti e ke bekuar Atë në rininë tënde, mos ji i kënaqur me të tilla lavdërime që i dhe atëherë. A të ka dhënë Perëndia begati në biznes? Jepi më shumë ashtu siç të ka dhënë më shumë. A të ka dhënë Perëndia përvojë? Lavdëroje Atë me një besim më të fuqishëm se sa ke ushtruar në fillim. A po rritet njohuria jote? Atëherë këndo më ëmbël akoma. A po gëzon periudha më të lumtura nga ç’ke pasur më parë? A je rimëkëmbur prej sëmundjes dhe a është kthyer pikëllimi yt në paqe dhe gëzim?Atëherë fali Atij më tepër melodi; vendos më tepër qymyr dhe më tepër aromë të këndshme në temjanin e kremtimit tënd. Jepi Atij nder në jetën tënde në mënyrë praktike, duke thënë “Amen” për Zotin tënd të hirshëm dhe të madh, me anë të shërbimit tënd personal dhe shenjtërisë në rritje.
17 nëntor-mbrëmje
“Kush çan drutë vihet në rrezik.”
{Predikuesi 10 :9}
Shtypësit mund të arrijnë atë që duan prej njerëzve në nevojë dhe të varfër po aq lehtë sa mund të presin cungje drush, por ata do të bënin më mirë të kishin kujdes, sepse kjo është një gjë e rrezikshme dhe ashkla e drurit ka vrarë shpesh druvarin. Jezusi është i përndjekur në çdo shenjtor të dëmtuar dhe Ai është i fuqishëm të marrë hak për të shumëdashurit e Tij. Suksesi në shtypjen e të varfrit dhe atij në nevojë është një gjë për të cilën duhet dridhur; nëse nuk do të ketë rrezik për përndjekësit tani, do të ketë rrezik të madh më pas.
Të çash dru është një punë e zakonshme e përditshme dhe prapëseprapë ka rreziqet e saj; kështu pra, lexues, ka rreziqe që lidhen me thirrjen tënde dhe jetën tënde të përditshme për të cilat do të ishte mirë për ty të ishe i ndërgjegjshëm. Ne nuk e kemi fjalën për rreziqet prej përmbytjeve ose prej sëmundjes ose vdekjes së papritur, por për rreziqe të llojit shpirtëror. Kohëzënia jote mund të jetë aq e përulur sa çarja e druve, dhe prapëseprapë djalli mund të të tundojë në të. Mund të jesh një pastrues, një punonjës ferme ose një mekanik dhe mund të jesh i mbrojtur prej tundimeve të veseve të mëdha, megjithatë ca mëkate sekrete mund të të dëmtojnë. Ata që banojnë në shtëpi dhe nuk përzihen me botën e ashpër prapëseprapë mund të rrezikohen prej vetë izolimit të tyre. Askund askush që e mendon veten të sigurtë nuk është i sigurtë. Krenaria mund të hyjë në zemrën e një njeriu të varfër; kurnacëria mund të mbretërojë në gjirin e kasolles; papastërtia mund të guxojë në shtëpinë më të qetë; zemërimi, lakmia dhe ligësia mund të futen edhe në vatrën më të thjeshtë. Edhe duke i folur ca fjalë një shërbëtori ne mund të mëkatojmë; një blerje e vogël në një dyqan mund të jetë hallka e parë në një zinxhir tundimesh; thjesht shikimi jashtë një dritareje mund të jetë fillimi i së ligës. O Zot, sa të pambrojtur që jemi! Si vallë do të sigurohemi! Të ruajmë vetveten është një punë shumë e rëndë për ne; vetëm Ti vetë je i aftë për të na ruajtur në një botë të tillë ligësish. Shtri krahët e Tu mbi ne dhe ne, si zogj të vegjël, do të shukemi poshtë Teje dhe do të ndjehemi të sigurtë!
18 nëntor-mëngjes
“Një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.”
{Kantiku i kantikëve 4:12}
Në këtë metaforë, që ka lidhje me jetën e brendshme të besimtarit, shprehet hapur idea e sekretit. Është një gurrë e vulosur; ashtu siç ishin gurrat në Lindje, mbi të cilat ngrihej një ndërtesë kështu që askush mos t’i arrinte dot përveç atyre që e dinin hyrjen sekrete; kështu është zemra e besimtarit kur është e ripërtëritur prej hirit; ka një jetë misterioze përbrenda që asnjë aftësi njerëzore nuk mund ta prekë dot. Është një sekret që askush tjetër nuk e njeh; jo, madje vetë njeriu që është zotëruesi i tij nuk mund t’ia shprehë dot të afërmit të tij. Teksti përfshin jo vetëm sekret, por edhe ndarje. Nuk është burimi i zakonshëm nga ku çdo kalimtar mund të pijë, është një burim që ruhet dhe mbrohet nga çdo njeri tjetër; është një burim që mban një vulë të veçantë—një vulë mbretërore, kështu që të gjithë mund të dallojnë se nuk është një burim i zakonshëm, por një burim që ka zot dhe me një natyrë të veçantë.
Kështu është me jetën shpirtërore. Të zgjedhurit e Perëndisë u vunë mënjanë me anë të dekretit të përjetshëm; ata u vunë mënjanë prej Perëndisë në ditën e shpengimit; dhe ata u vunë mënjanë me anë të zotërimit të një jete që të tjerët nuk e kanë; dhe është e pamundur për ta të ndjehen si në shtëpinë e tyre me botën, ose të gjejnë ëndje në kënaqësitë e saj. Është gjithashtu idea e shenjtërisë. Gurra e vulosur është e ruajtur për përdorimin e disa njerëzve të veçantë; dhe e tillë është zemra e krishterë. Është një burim i ruajtur për Jezusin. Çdo i krishterë duhet të ndjejë se ka vulën e Perëndisë mbi veten—dhe ai duhet të jetë i aftë të thotë me Palin, “Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.” Një tjetër ide spikat nga ky varg—është ajo e sigurisë. Oh! sa e sigurtë dhe e siguruar është jeta e brendshme e besimtarit! Nëse të gjitha fuqitë e tokës dhe ferrit do të bashkoheshin kundër saj, ai parim i pavdekshëm duhet të ekzistojë akoma, sepse Ai që e dha atë doli vetë si garant me jetën e Tij. “Dhe kush do t`ju bëjë keq,” ndërsa Perëndia është mbrojtësi juaj?
18 nëntor-mbrëmje
“Ti je i tillë nga përjetësia.”
{Psalmet 93:2}
Krishti është i Përjetshëm. Për Të ne mund të këndojmë me Davidin, “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi.” Gëzohu, besimtar, në Jezu Krisht, që është i njëjtë dje, sot dhe përjetë. Jezusi ishte gjithmonë. Foshnja e lindur në Betlehem u bashkua me Fjalën, që ishte në fillim, me të Cilin të gjitha gjërat u bënë. Titulli me cilin Krishti i zbuloi Vetveten Gjonit në Patmos ishte, “Ai që është dhe që ishte dhe që do të vijë.” Nëse Ai nuk do të ishte Perëndi nga përjetësia, ne nuk do të mund ta donim me kaq përkushtim; ne nuk do të mund të ndjenim se Ai pati çdo pjesë në dashurinë e përjetshme që është burimi i të gjitha bekimeve të besëlidhjes; por përderisa Ai ishte që prej fillimit me Atin, ne e gjurmojmë burimin e dashurisë hyjnore te vetë Ai, njësoj me Atin e Tij dhe Frymën e Bekuar. Ashtu siç Zoti ynë ishte gjithmonë, po ashtu Ai është përjetë. Jezusi nuk ka vdekur; Ai “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ne.” Drejtoju Atij në çdo kohë nevoje, sepse Ai po pret të të bekojë akoma.
Për më tepër, Jezusi, Zoti ynë do të jetë përherë. Nëse Perëndia do t’ju kursente jetën deri në një moshë të shkuar, do të zbuloni se burimi i tij pastrues është akoma i hapur dhe gjaku i tij i çmuar nuk e ka humbur fuqinë; do të zbuloni se Prifti që mbushi burimin shërues me vetë gjakun e tij, jeton për të pastruar prej çdo padrejtësie. Kur vetëm beteja jote e fundit mbetet për t’u luftuar, do të zbulosh se dora e Kapitenit tënd fitimtar nuk është dobësuar—Shpëtimtari i gjallë do të gëzojë shenjtorin në prag të vdekjes. Kur të hysh në parajsë do ta gjesh Atë atje duke mbajtur vesën e rinisë së Tij; dhe përmes përjetësisë Zoti Jezus do të mbetet akoma burimi i përjetshëm gëzimi, jete dhe lavdie për popullin e Tij. Nxirrni ujëra të gjalla nga ky burim i shenjtë! Jezusi përherë ishte, Ai është përherë, Ai përherë do të jetë. Ai është i përjetshëm në të gjitha atributet e Tij, në gjithë ofiqet e Tij, në gjithë fuqinë e Tij dhe vullnetin e Tij për të bekuar, ngushëlluar, ruajtur dhe kurorëzuar popullin e Tij.
19 nëntor-mëngjes
“Shmangu nga diskutimet e marra.”
{Titit 3:9}
Ditët tona janë të pakta dhe shpenzohen shumë më mirë duke bërë mirë, se sa duke u grindur me çështje që janë, më së miri, të një rëndësie të vogël. Shkollarët e vjetër bënë shumë dëm me anë të diskutimit të subjekteve të një rëndësie jo praktike; dhe kishat tona vuajnë shumë prej luftërave të vogla mbi pika të errëta dhe pyetje të parëndësishme. Mbasi çdo gjë që mund të thuhet është thënë, asnjë krah nuk është më i urtë dhe prandaj diskutimi nuk ndihmon më as me rritjen e njohurisë as me rritjen e dashurisë dhe është çmenduri të mbjellësh në një fushë kaq djerrë. Pyetje mbi pika mbi të cilat Shkrimi është i heshtur; mbi misteret që i përkasin vetëm Perëndisë; mbi profeci të një interpretimi të dyshimtë; dhe mbi thjesht mënyrat e kryerjes së ceremonive njerëzore, të gjitha këto janë marrëzi dhe njerëzit e urtë i shmangin. Puna jonë është as të bëjmë as t’i përgjigjemi pyetjeve të kota, por t’i lëmë mënjanë; dhe nëse i bindemi parimit të apostullit {Titit 3:8} për të qenë të kujdesshëm për të ruajtur veprat e mira, do ta gjejmë veten tepër të zënë me punë të dobishme, duke mos treguar interes në rropatje të panevojshme, grindavece dhe të pavlera.
Megjithatë ka disa pyetje që janë e kundërta e marrëzisë, të cilat nuk duhet t’i mënjanojmë, por duhet t’i ballafaqojmë me sinqeritet dhe paanshmëri, të tilla si këto: A besoj në Zotin Jezus Krisht? A jam i ripërtëritur në frymën e mendjes sime? A nuk po eci sipas mishit, por po eci sipas Frymës? A po rritem në hir? A stolit sjellja ime doktrinën e Perëndisë Shpëtimtarit tim? A po kërkoj për ardhjen e Zotit dhe a po rri vigjilent ashtu si duhet të bëjë një shërbëtor që po pret padronin e tij? Çfarë mund të bëj më shumë për Jezusin? Të tilla pyetje vetë ekzaminuese si këto kërkojnë me urgjencë vëmendjen tonë; dhe nëse i jemi dhënë kleçkave, le të kthejmë tani aftësitë tona kritikuese për një shërbim shumë më të dobishëm. Le të jemi paqeruajtës dhe të përpiqemi të udhëheqim të tjerë me anë të parimit dhe shembullit tonë, për të “shmangur diskutimet e marra.”
19 nëntor-mbrëmje
“Ah sikur të dija ku ta gjeja!”
{Jobi 23 :3}
I gjendur në shkallë më të fundit, ai thërret mbas Zotit. Dëshira plot zjarr e një fëmije të pikëlluar të Perëndisë është të shikojë një herë më shumë fytyrën e Atit të tij. Lutja e tij nuk është “Oh sikur të shërohem prej sëmundjes që tani qelbëzon në çdo pjesë të trupit tim!” ose madje as “oh sikur të shihja fëmijët e mi të rikthyer prej kthetrave të varrit dhe pronësinë time të kthyer prej dorës së zhvatësit!” por klithma më e lartë dhe e para është, “Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e Tij!” Fëmijët e Perëndisë shkojnë në shtëpi kur vjen stuhia. Është instinkti i lindur prej qiellit i një shpirti të hirshëm për të kërkuar strehë prej çdo ligësie poshtë krahëve të Jehovait. ” Ai e ka bërë Shumë të Lartin strehën e tij,” mund të shërbejë si titulli i besimtarit të vërtetë. Një hipokrit kur pikëllohet prej Perëndisë, mban mëri për shkak të pikëllimit dhe si një skllav, do të largohej me vrap prej Padronit që e ka fshikulluar; por nuk ndodh kështu me trashëgimtarin e vërtetë të qiellit; ai puth dorën e Atij që e ka goditur dhe kërkon strehë prej fshikullit në kraharorin e Perëndisë që u vrenjt kundrejt tij.
Dëshira e Jobit për të pasur shoqërim me Perëndinë u shtua prej dështimit të çdo burimi tjetër ngushëllimi. Patriarku u largua prej shokëve të tij të brengosur dhe vështroi lart mbi fronin qiellor, ashtu si një udhëtar hedh tutje menjëherë paguren e tij dhe shkon me gjithë nxitim te pusi. Ai i thotë lamtumirë shpresave tokësore dhe thërret, “Ah sikur të dija ku ta gjeja Perëndinë tim!” Asgjë nuk na mëson aq shumë çmueshmërinë e Krijuesit, se sa kur mësojmë zbrazëtinë e të gjitha gjërave të tjera. Duke i kthyer kurrizin me përçmim të hidhur koshereve tokësore, ku nuk gjejmë mjaltë, por shumë thumba të mprehtë, ne gëzohemi në Atë, fjala besnike e të Cilit është më e ëmbël se mjalti ose huajt e mjaltit. Në çdo telash ne duhet së pari të jemi të ndërgjegjshëm për praninë e Perëndisë me ne. Veçse le të gëzojmë me buzëqeshjen e Tij dhe kështu mund ta mbajmë kryqin tonë të përditshëm me një zemër të vullnetshme për hir të Tij.
20 nëntor-mëngjes
“O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.”
{Vajtimet 3:58}
Vini re sa me siguri profeti flet. Ai nuk thotë, “shpresoj, besoj, ndonjëherë mendoj se Perëndia ka mbrojtur çështjet e shpirtit tim;” por ai flet në lidhje me këtë si një fakt të padiskutueshëm. “Ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim.” Me anë të Ngushëlluesit të hirshëm, le të shkundim tutje ato dyshime dhe frikëra që aq shumë prishin paqen dhe ngushëllimin tonë. Le të jetë kjo lutja jonë, që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë zërit të vrazhdë dhe çjerrës të hamendjeve dhe dyshimit dhe të jemi të aftë të flasim me zërin melodik dhe të qartë të sigurisë së plotë. Vini re se sa me mirënjohje profeti flet, duke ia numëruar të gjithë lavdinë vetëm Perëndisë! Ju e vini re se nuk ka as dhe një fjalë në lidhje me vetë atë ose në lidhje me kërkesat e tij. Ai nuk ia ngarkon shpëtimin e tij sadopak ndonjë njeriu, aq më pak meritës së tij; por je “Ti”—”O Zot, ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim; ti ke çliruar jetën time.” Një i krishterë duhet të kultivojë përherë një frymë mirënjohëse; dhe veçanërisht mbas çlirimeve ne duhet të përgatisim një këngë për Perëndinë tonë.
Toka duhet të jetë një tempull i mbushur me këngët e shenjtorëve mirënjohës dhe çdo ditë duhet të jetë një temjanicë që lëshon erë të mirë temjani falënderimi. Sa i gëzuar që duket Jeremia kur kujton mëshirën e Zotit. Sa triumfalisht që e ngre tonin! Ai kishte qenë në birucën e poshtme dhe edhe tani nuk është askush tjetër përveçse profeti vajtues; dhe prapëseprapë në vetë librin që quhet “Vajtimet,” i qartë si kënga e Miriamit kur i binte tamburit, i mprehtë si toni i Deboras kur takoi Barakun me thirrje fitore, ne dëgjojmë zërin e Jeremisë duke u ngjitur në qiell—”Ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.” O fëmijë të Perëndisë, kërkoni një përjetim të gjallë të dashamirësisë së Zotit dhe ndërsa e keni, flisni me siguri për të; këndoni me mirënjohje; thërrisni triumfalisht.
20 nëntor-mbrëmje
“Lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë.”
{Fjalët e urta 30:26}
Të vetëdijshëm për dobësinë e tyre të natyrshme, lepujt strehohen në strofka shkëmbore dhe janë të sigurtë prej armiqve të tyre. Zemra ime, ji e vullnetshme të marrësh një mësim prej këtij populli të dobët. Ti je po aq i dobët dhe aq i pambrojtur ndaj rrezikut sa lepuri i ndrojtur; ji po aq i urtë për të kërkuar një strehë. Siguria ime më e mirë është përbrenda fortifikatave të Jehovait të pandryshueshëm, ku premtimet e Tij të pandryshueshme qëndrojnë si mure gjigante shkëmbi. Do të jetë përherë mirë për ty, zemra ime, nëse mund ta fshehësh përherë vetveten në fortifikatat e atributeve të Tij të lavdishme, të cilat të gjitha janë garanci sigurie për ata që e vendosin besimin e tyre në Të. I bekuar qoftë Zoti, kështu bëra dhe unë, dhe e gjeta veten si Davidi në Adullam, i sigurtë prej mizorisë së armikut tim; tanimë nuk kam për të zbuluar bekimin e njeriut që ka vendosur besimin e tij në Zotin, sepse kohë më parë, kur satani dhe mëkatet e mia më ndiqnin nga pas, vrapova te shkëmbi Krishti Jezus, dhe në ijën e tij të çarë gjeta një vend prehjeje të mrekullueshëm.
Zemra ime, vrapo tek Ai përsëri sonte, çfarëdo qoftë dhembja jote e tanishme; Jezusi e ndjen për ty; Jezusi të ngushëllon; Jezusi do të të ndihmojë. Asnjë monark në kështjellën e tij të pamposhtur nuk është më i sigurtë se sa lepuri në strofkën shkëmbore. Zotëruesi i dhjetëra mijërave qerresh luftarake nuk është një thërrime më mirë i mbrojtur se sa banuesi i vogël në të çarën e malit. Në Jezusin të dobëtit dhe të pambrojturit janë të fortë; ata nuk mund të ishin më të fortë edhe sikur të ishin gjigantë, ose më të sigurtë edhe sikur të ishin në qiell. Besimi i jep njerëzve në tokë mbrojtjen e Perëndisë të qiellit. Më tepër ata nuk mund të kenë nevojë dhe nuk kanë pse të dëshirojnë më tepër. Lepujt nuk mund të ndërtojnë një kështjellë, por ata përfitojnë prej asaj që është atje e gatshme; nuk mund t’i bëj vetes një strehë, por Jezusi ma ka siguruar, Ati i Tij ma ka dhënë, Fryma e Tij ma ka zbuluar dhe përsëri sonte hyj aty brenda dhe jam i sigurtë prej çdo armiku.
21 nëntor-mëngjes
“Mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë.”
{Efesianëve 4:30}
Gjithçka që besimtari ka duhet të vijë prej Krishtit, por kjo vjen vetëm përmes kanalit të Frymës së hirit. Për më tepër, ashtu si të gjitha bekimet derdhen te ty përmes Frymës së Shenjtë, po ashtu asgjë e mirë nuk mund të dalë jashtë teje në mendim të shenjtë, adhurim të perëndishëm, ose vepër të hirshme, përveçse prej veprimit shenjtërues të së njëjtit Frymë. Edhe sikur fara e mirë të mbillet brenda teje, prapëseprapë ajo qëndron e përgjumur, përveçse kur Fryma vepron brenda teje për të dashur dhe për të bërë sipas dëshirës së Tij të mirë. A dëshiron të flasësh për Jezusin—si do të mundeshe vallë nëse Fryma e Shenjtë nuk të prek gjuhën?A dëshiron të lutesh? Sa keq! çfarë gjë e plogësht që është nëse Fryma nuk ndërhyn për ty! A dëshiron të nënshtrosh mëkatin? A do të doje të ishe i shenjtë? A do të doje të imitoje Mjeshtrin tënd? A dëshiron të ngrihesh në lartësi të mëdha shpirtërore? A po dëshiron të bëhesh si engjëjt e Perëndisë, plot me zell dhe zjarr për çështjen e Mjeshtrit?
Ti nuk mundesh pa Frymën—”Pa mua nuk mund të bëni asgjë.” O degë vreshti, ti nuk mund të kesh fryt pa limfën! O fëmijë i Perëndisë, ti nuk ke jetë përbrenda përveçse prej jetës që Perëndia të jep me anë të Frymës së Tij! Atëherë le të mos ta trishtojmë Atë ose ta provokojmë në zemërim prej mëkatit tonë. Le të mos të shuajmë edhe lëvizjet më të vogla të Tij në shpirtin tonë; le të ushqejmë çdo sugjerim dhe të jemi të gatshëm t’i bindemi çdo shtytjeje. Nëse Fryma e Shenjtë është me të vërtetë kaq e fuqishme, le të mos bëjmë përpjekje për asgjë pa Të, le të mos fillojmë asnjë projekt dhe të mos të kryejmë asnjë ndërmarrje dhe të mos përmbyllim asnjë marrëveshje, pa përgjëruar bekimin e Tij. Le t’i japim Atij homazhin e duhur duke ndjerë dobësinë tonë të plotë pa Të dhe më pas duke u varur tërësisht mbi Të, le të kemi këto fjalë si lutjen tonë, “Më hap tërë zemrën dhe tëre qenien time për ardhjen Tënde dhe më përkrah me anë të Frymës Tënde mbasi e kam marrë në njeriun tim të brendshëm.”
21 nëntor-mbrëmje
“Dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.”
{Gjoni 12:2}
Ai është për t’u pasur zili. Do të ishte mirë të jesh Marta dhe të shërbesh, por është më mirë të jesh Llazari dhe të kesh shoqërim. Ka kohë për çdo qëllim dhe secili është me vend në kohën e tij, por asnjëra prej pemëve të kopshtit nuk lëshon të tilla vile ashtu si vreshti i shoqërimit. Të ulesh me Jezusin, të dëgjosh fjalën e Tij, të shënosh veprimet e Tij dhe të marrësh buzëqeshjet e Tij, ishte një favor i tillë sa duhet ta ketë bërë Llazarin po aq të lumtur sa engjëjt. Atëherë kur ka qenë risku ynë fatlum të festojmë me Shumëtëdashurin tonë në oborrin e gostive të Tij, nuk do të lëshonim as edhe një gjysmë psherëtimë për të gjitha mbretëritë e botës nëse aq shumë frymë do t’i bënin tonat.
Ai është për t’u imituar. Do të kishte qenë një gjë e çuditshme nëse Llazari nuk do të kishte qenë në tryezën ku ndodhej Jezusi, sepse ai vdiq dhe Jezusi e kishte ringjallur. Nëse ky i ringjallur do të mungonte ndërkohë që Zoti që i dha atij jetë ndodhej në shtëpi, kjo do të kishte qenë me të vërtetë mosmirënjohëse. Ne gjithashtu ishim një herë të vdekur, po, dhe ashtu si Llazari duke u qelbur në varrin e mëkatit; Jezusi na ngjalli dhe me anë të jetës së Tij ne jetojmë—a mund të jemi vallë të kënaqur duke jetuar larg Tij? A harrojmë ta kujtojmë Atë në tryezën e Tij, ku Ai begenis të festojë me vëllezërit e Tij? Oh, kjo është mizore! Na duhet të pendohemi dhe të bëjmë ashtu si Ai na ka urdhëruar, sepse dëshira e Tij më e vogël duhet të jetë ligj për ne. Do të kishte qenë e turpshme për Llazarin, për të cilin hebrenjtë thanë, “shih, sa e donte;” nëse do të kishte jetuar pa bashkëshoqërim të vazhdueshëm; a nuk do të ishte kjo gjë e pafalshme për ne që Jezusi na deshi me një dashuri të përjetshme? Nëse Llazari do të kishte qëndruar i ftohtë kundrejt Atij që qau mbi trupin e tij të pajetë, kjo do të kishte treguar një pandjeshmëri çnjerëzore. Çfarë do të tregonte vallë për ne ndërsa Shpëtimtari jo vetëm që qau, por derdhi gjak për ne? Ejani vëllezër, ju që po lexoni këto fjalë, le të kthehemi tek Dhëndri ynë qiellor dhe të kërkojmë për Frymën e Tij që të jemi në intimitet më të ngushtë me Të dhe në këtë mënyrë të rrimë në tryezë me Të.
22 nëntor-mëngjes
“Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.”
{Osea 12:12}
Jakobi ndërsa i ankohet Labanit, e përshkruan kështu punën e tij të rëndë,” Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate. Unë nuk t`i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën. Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë.” Edhe më e rëndë se kaq ishte jeta e Shpëtimtarit tonë këtu poshtë. Ai ruajti të gjitha delet dhe në fund fare tha, “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë.” Flokët e tij ishin të njomur me vesë dhe me pikat e natës. Gjumi largohej prej syve të tij, sepse gjithë natën Ai ishte në lutje duke u lutur për popullin e tij. Një natë Pjetri duhej marrë në mbrojtje, një tjetër natë një tjetër kërkon me lot ndërhyrjen e tij. Asnjë bari ulur poshtë qiejve të një dite të ftohtë, duke vështruar yjet, nuk mund të shprehë vajtime të tilla për shkak të vështirësisë së madhe të punës së tij aq sa Jezu Krishti mund të kishte shprehur, nëse do të kishte zgjedhur të bënte ashtu, për shkak të vështirësisë së shërbimit të tij me qëllimin për të fituar nusen e tij—
Malet e ftohta dhe ajri i mesnatës,
Dëshmuan zjarrin e lutjes së tij;
Shkretëtira tundimet e tij njohu,
Konfliktin dhe fitoren e tij gjithashtu
Do të ishte një gjë e ëmbël nëse do të ndalonim pak në një paralele frymërore të historisë së Labanit që i kërkon Jakobit të gjitha delet. Nëse ndonjëra do të ishte shqyer prej kafshëve të egra, Jakobi duhet ta kthente; nëse ndonjëra humbiste ai duhej të qëndronte si dorëzanë për të gjitha. A nuk ishte mundi i Jezusit për kishën e Tij mundi i Dikujt që ishte nën detyrime dorëzanie për të sjellë çdo besimtar të sigurtë në dorën e Atij që ia kishte mirëbesuar? Shiko Jakobin që mundohet shumë dhe ti shikon një pasqyrim të Atij për të Cilin ne lexojmë, “Ai do të kullosë kopenë e Tij si një bari.”
22 nëntor-mbrëmje
“Fuqinë e ringjalljes së tij.”
{Filipianët 3 :10}
Doktrina e një Shpëtimtari të ringjallur është tejet e çmueshme. Ringjallja është gur kyçi i gjithë ndërtesës së krishtërimit. Është gur kyçi i shpëtimit tonë. Do të duheshin volume të tëra për të përshkruar të gjitha ujërat e gjalla që derdhen prej këtij burimi të shenjtë, ringjallja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë të shtrenjtë Jezu Krisht; por të dish se Ai është ringjallur dhe të kesh shoqërim me Të si i tillë—duke pasur shoqërim me Shpëtimtarin e ringjallur, duke zotëruar një jetë të ringjallur—ta shikosh Atë duke lënë varrin ndërsa ne vetë lëmë varrin e kësaj bote, kjo gjë është akoma më e çmuar. Doktrina është baza e përjetimit, por përderisa lulja është më e këndshme se sa rrënja, po ashtu është përjetimi i shoqërimit me Shpëtimtarin e ringjallur është më i këndshëm se vetë doktrina.
Do të doja që të besonit se Krishti u ringjall prej së vdekuri që kështu të këndonit për këtë gjë dhe të nxirrni të gjithë ngushëllimin që është i mundur për ju të nxirrni prej këtij fakti të dëshmuar mirë dhe me siguri; por ju përgjërohem, mos qëndroni të kënaqur edhe me këtë. Edhe pse, ju nuk mundni, ashtu si dishepujt ta shikoni Atë dukshëm, prapëseprapë ju lutem që të aspironi të shikoni Krishtin Jezus me syrin e besimit; dhe edhe pse, ashtu si Mari Magdalena, nuk mund ta “prekni” Atë, prapëseprapë keni privilegjin të bashkëbisedoni me Të dhe të njihni se Ai u ringjall, ju vetë duke qenë të ringjallur në Të në risi jete. Të njohësh një Shpëtimtar të kryqëzuar që ka kryqëzuar të gjitha mëkatet e mia, është një shkallë e madhe njohurie, por të njohësh një Shpëtimtar të ringjallur që më ka drejtësuar dhe të kuptosh se Ai më ka dhënë një jetë të re, duke më dhënë që të jem një krijese e re përmes vetë risisë së jetës së Tij, ky është një përjetim fisnik; ai që nuk e ka nuk duhet kurrë të mbesë i kënaqur. Zoti ju dhëntë të njihni “Atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij.” Pse vallë shpirtrat që janë ringjallur me Jezusin duhet të veshin rroba zie të kësaj bote dhe të mosbesimit? Ngrihu lart sepse Zoti është ringjallur.
23 nëntor-mëngjes
“Bashkësi (shoqërim) me Të.”
{1 Gjoni 1:6}
Kur u bashkuam me anë të besimit me Krishtin, u sollëm në një shoqërim aq të plotë me Të sa u bëmë një me Të; interesat e Tij dhe tonat u bënë të përbashkëta dhe të njëjta. Ne kemi shoqërim me Krishtin në dashurinë e Tij. Atë që Ai e do, ne e duam. Ai i do shenjtorët—po ashtu dhe ne. Ai i do mëkatarët—po ashtu dhe ne. Ai e do racën e gjorë kalimtare të njeriut dhe dëshiron me zjarr të shikojë shkretëtirat e tokës të transformuar si kopshti i Zotit—po ashtu dhe ne. Ne kemi shoqërim me Të në dëshira. Ai dëshiron lavdinë e Perëndisë—ne gjithashtu punojmë për të njëjtën gjë. Ai dëshiron që shenjtorët të mund të jenë me Të atje ku Ai është—ne dëshirojmë të jemi me Të gjithashtu. Ai dëshiron të dëbojë mëkatin—shikoni, ne luftojmë nën të njëjtin flamur. Ai dëshiron që emri i Atit të Tij të mund të duhet dhe adhurohet prej të gjitha krijesave—ne lutemi përditë, “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.”
Ne kemi shoqërim me Krishtin në vuajtjet e tij. Ne nuk jemi të kryqëzuar në kryq, as nuk vdesim prej një vdekjeje mizore, por kur ai turpërohet, ne gjithashtu turpërohemi; dhe është një gjë e ëmbël kur fajësohemi për hir të Tij, kur përçmohemi se ndjekim Mjeshtrin, kur kemi botën kundra nesh. Dishepulli nuk duhet të jetë mbi Zotin e tij. Sipas masës sonë ne kemi shoqërim me Të në punët e Tij, duke u shërbyer njerëzve me fjalën e së vërtetës dhe me vepra dashurie. Ushqimi ynë, ashtu si i tij, është të bëjmë vullnetin e Atij që na ka dërguar dhe të mbarojmë punën e tij. Ne kemi gjithashtu shoqërim me Krishtin në gëzimet e tij. Ne jemi të lumtur në lumturinë e tij, ne gëzohemi në lartësimin e tij. A e ke shijuar ndonjëherë këtë gëzim, besimtar? Nuk ka kënaqësi më të madhe ose me të pastër për të njohur në këtë anë të qiellit se sa të kesh gëzimin e Krishtit të përmbushur brenda nesh, në mënyrë që gëzimi ynë të jetë i plotë. Lavdia e Tij na pret që të plotësojmë shoqërimin tonë, sepse kisha e Tij do të ulet me Të në fronin e Tij, si nusja e Tij e shumëdashur dhe mbretëreshë.
23 nëntor-mbrëmje
“Ngjitu mbi një mal të lartë.”
{Isaia 40 :9}
Çdo besimtar duhet të ketë etje për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë dhe duhet të dëshirojë me zjarr të ngjisë kodrën e Zotit, dhe ta shikojë ballë për ballë. Ne nuk duhet të qëndrojmë të kënaqur në mes të fushës atëherë kur maja e Taborit na pret. Shpirti im ka etje për të pirë thellë prej kupës që i është rezervuar atyre që arrijnë ballin e malit dhe lajnë ballin e tyre në qiell. Sa të pastra që janë vesat e kodrave, sa i freskët që është ajri i malit, sa i pasur që është ushqimi i banorëve aty lart, nga ku shikojnë Jeruzalemin e Ri! Shumë shenjtorë mbeten të kënaqur duke jetuar si njerëz nëpër miniera qymyri, që nuk e shikojnë diellin; ata hanë pluhur si gjarpri ndërkohë që mund të shijojnë ushqimin ambrozial të engjëjve; ata janë të kënaqur duke mbajtur veshur petkun e minatorit ndërkohë që mund të veshin tesha mbretërore; lot prishin fytyrat e tyre ndërkohë që mund të vajoseshin me vaj qiellor.
Jam i kënaqur kur besimtari venitet në një burg ndërkohë që ai mund të ecë mbi majën e një kështjelle dhe të shikojë tokën e mirë dhe Libanin. Ngrihu ti, o besimtar, prej gjendjes tënde të ulët! Hidh tutje plogështinë tënde, letargjinë tënde, ftohtësinë tënde, ose çfarëdo që ndërhyn me dashurinë tënde të pastër dhe të dëlirë për Krishtin, Dhëndrin e shpirtit tënd. Bëje Atë burimin, qendrën dhe rrethin e të gjithë rrezes së ëndjes së shpirtit tënd. Çfarë të magjeps vallë ty në një çmenduri të tillë që të qëndrosh në një gropë ndërsa mund të ulesh mbi një fron? Mos jeto në tokat e ulëta të skllavërisë tani që ajo liri atje lart mbi mal të është dhënë. Mos ji më gjatë i kënaqur me arritjet e tua të vockla, por shty përpara për gjëra më sublime dhe qiellore. Aspiro për jetë më të plotë, më fisnike e më të lartë. Lart për në qiell! Më afër me Perëndinë!
“Kur do të vish te mua, Zot?
Oh eja, Zoti im i shtrenjtë!
Eja pranë, eja më pranë, më pranë akoma,
Jam i bekuar kur gjendesh pranë.”
24 nëntor-mëngjes
“Zoti në madhështinë e Tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji.”
{Isaia 33 :21}
Rrjedha të gjera dhe lumenj prodhojnë pjellori dhe begati në tokë. Vendet afër rrjedhave të gjera janë të mrekullueshme prej varietetit të bimëve dhe të korrurave të begata. Perëndia është e gjitha kjo për kishën e Tij. Duke pasur Perëndinë, kisha ka bollëk. Çfarë mund të kërkojë ajo që Ai nuk do t’ia japë? Çfarë nevoje ajo mund të përmendë që Ai nuk do të plotësonte? “Zoti i ushtrive do t`u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme.” A dëshiron bukën e jetës? Ajo bie si mana prej qiellit. A dëshiron rrjedha freskuese? Shkëmbi të ndjek nga pas dhe ai Shkëmb është Krishti. Nëse vuan mungesën e diçkaje është faji yt; nëse je ngushtuar nuk je ngushtuar në Të, por në zemrën tënde. Rrjedhat e gjera dhe lumenjtë tregojnë gjithashtu tregtinë.
Zoti ynë është për ne një vend me mall qiellor. Me anë të Shpenguesit tonë ne bëjmë tregti me të kaluarën; pasurinë e Kalvarit, thesaret e besëlidhjes, pasuritë e ditëve të hershme të zgjedhjes, depot e përjetësisë, të gjitha vijnë te ne me rrymën e gjerë të Zotit tonë të hirshëm. Ne bëjmë tregti gjithashtu me të ardhmen. Çfarë galionesh të mbushur plot e përplot vijnë te ne prej mijëvjeçarit! Çfarë vizionesh që kemi të ditëve qiellore mbi tokë! Përmes Zotit tonë të lavdishëm ne bëjmë tregti me engjëjt; kemi shoqërim me frymët e shndritshëm të larë në gjak, që këndojnë përpara fronit; po, akoma më mirë, ne kemi shoqërim me të Pafundmin. Rrjedha të gjera dhe lumenjtë synojnë veçanërisht të nxjerrin në pah idenë e sigurisë. Lumenjtë ishin në kohët e vjetra një mbrojtje. Oh! të dashur, çfarë mbrojtjeje që është Perëndia për kishën e Tij! Djalli nuk mund të kalojë këtë lumë të gjerë të Perëndisë. Sa do të donte që të kthente rrymën, por mos druaj, sepse Perëndia qëndron pandryshueshmërisht i njëjti. Satani mund të na bezdisë, por nuk mund të na shkatërrojë; asnjë galion me rrema nuk do të pushtojë lumin tonë, as ndonjë anije luftarake nuk do të mund ta kalojë dot.
24 nëntor-mbrëmje
“Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.”
{Fjalët e urta 24 :33,34}
Përtacët e llojit më të keq kërkojnë veç pak dremitje; ata do të zemëroheshin nëse do të akuzoheshin se janë përtacë fund e krye. Të rrish pak me duar në ije për të pushuar është gjithçka që ata duan fort dhe kanë një tufë arsyesh për të treguar se ky lëshim është i duhur. Prapëseprapë prej këtyre vocërrimave ditët kalojnë, koha për të punuar shkon dhe fusha është e mbushur me gjemba. Është prej zvarritjeve të vogla që njerëzit rrënojnë shpirtrat e tyre. Ata nuk kanë për qëllim të vonojnë për vite me radhë—edhe pak muaj dhe do të vijë periudha më e volitshme—nesër nëse dëshiron, ata do të merren me gjëra serioze, por ora e tanishme është kaq e zënë dhe po aq e papërshtatshme, aq sa ata kërkojnë të falur. Ashtu si rëra në një orë me rërë, koha kalon, jeta shkon kot pika pika dhe stinët e hirit humbasin prej dremitjeve të vogla.
Oh, të jesh i urtë, të kapësh orën fluturuese, të mbërthesh çastet që ikin shpejt! Zoti na mësoftë këtë urtësi të shenjtë, sepse përndryshe një varfëri nga lloji më i keq na pret, varfëri e përjetshme që do të dëshirojë një pikë uji, por do të përgjërohet më kot për të. Ashtu si një udhëtar që ndjek më këmbëngulje udhëtimin e tij, varfëria zë në befasi të plogështin dhe rrënimi përmbys të pavendosurin; çdo orë sjell më afër ndjekësin e druajtur; ai nuk pushon përgjatë rrugës, sepse ai bën punën e mjeshtrit të tij dhe nuk do të pushonte dot. Ashtu si një njeri i armatosur hyn me autoritet dhe fuqi, po ashtu nevoja vjen te përtaci dhe vdekja te i papenduari, dhe nuk do të ketë shpëtim. Oh sikur njerëzit të ishin tani të urtë dhe të kërkonin me zell Zotin Jezus, përndryshe do të agojë dita solemne kur do të jetë shumë vonë për të pluguar dhe për të mbjellur, tepër vonë për t’u penduar dhe për të besuar. Në kohën e korrjeve është e kotë të qahesh se koha e mbjelljes u la pas dore. Deri tani, besimi dhe vendimi i shenjtë janë në kohë. I fitofshim ato këtë natë.
25 nëntor-mëngjes
“Për të shpallur çlirimin e të burgosurve.”
{Lluka 4 :18}
Askush përveçse Jezusit nuk mund t’i japë çlirimin të burgosurve. Liria e vërtetë vjen vetëm prej Tij. Është një liri e dhënë drejtësisht, sepse Biri, që është trashëgimtari i të gjitha gjërave, zotëron të drejtën për të bërë njerëzit të lirë. Shenjtorët nderojnë drejtësinë e Perëndisë, që tani i siguron atyre shpëtimin. Është një liri që është blerë shtrenjtë. Krishti e shpall atë me anë të fuqisë së Tij, por Ai e bleu atë me gjakun e tij. Ai të bën të lirë, por kjo është me anë të lidhjeve të Tij. Ti shkon i lirë sepse Ai mbajti barrën tënde për ty; ti je çliruar, sepse Ai ka vuajtur në vendin tënd. Mirëpo edhe pse kjo liri është blerë shtrenjtë, Ai e jep falas atë. Jezusi nuk kërkon asgjë prej nesh si një përgatitje për këtë liri. Ai na gjen të ulur në thes dhe hi, dhe na urdhëron që të veshim stolinë e bukur të lirisë; Ai na shpëton ashtu siç jemi dhe gjithçka pa ndihmën ose meritën tonë. Kur Jezusi çliron, liria është përjetësisht e trashëguar; asnjë zinxhir nuk mund të lidhë më. Le të më thotë Mjeshtri, “i burgosur, të kam liruar,” dhe është kryer përjetë.
Satani mund të ngre kurthe për të na skllavëruar, por nëse Zoti është në anën tonë, kë vallë do të kemi frikë? Bota, me tundimet e saj, mund të përpiqet që të na zërë në kurth, por më i fuqishëm është Ai që është për ne se sa të gjithë ata që janë kundra nesh. Intrigat e vetë zemrave tona mashtruese mund të na sfilitin dhe të na mërzisin, por Ai që ka filluar një vepër të mirë brenda nesh, do ta vazhdojë dhe do ta përkryejë deri në fund. Armiqtë e Perëndisë dhe kundërshtarët e njeriut mund të mbledhin ushtritë e tyre bashkë dhe të vijnë me tërbim të përqendruar kundra nesh, por nëse Perëndia shpengon kush është ai që do të dënojë? Nuk është më e lirë shqiponja që ngjitet te foleja e saj dhe më pas ngrihet në fluturim sipër reve, se sa shpirti që Krishti ka çliruar. Nëse nuk jemi më nën ligjin, por të çliruar prej mallkimit të tij, atëherë liria jonë le të shfaqet praktikisht në shërbimin e Perëndisë me mirënjohje dhe kënaqësi. “Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.” “Zot, ç’don ti të bëj unë?”
25 nëntor-mbrëmje
“Ai i thotë në fakt Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.”
{Romakëve 9:15}
Në këto fjalë Zoti në mënyrën më të drejtpërdrejtë i njeh vetes të drejtën për të dhënë ose për të përmbajtur mëshirën e Tij sipas vullnetit të Tij sovran. Po ashtu si e drejta e posaçme e jetës ose e vdekjes i përket monarkut po ashtu Gjykatësi i të gjithë tokës ka të drejtë të kursejë ose të dënojë fajtorin ashtu si i duket Atij më mirë. Njerëzit prej mëkateve të tyre kanë humbur çdo pretendim përpara Perëndisë; ata meritojnë të vdesin prej mëkateve të tyre—dhe sikur të vdisnin të gjithë, ata nuk kanë asnjë bazë për ankim. Nëse Zoti shfaqet për të shpëtuar ndonjë, Ai mund ta bëjë këtë nëse qëllimet e drejtësisë nuk pengohen, por nëse Ai gjykon që më mirë të lërë të dënuarin të vuajë vendimin e drejtë, askush nuk mund ta akuzojë. Të marra dhe të pafytyrë janë të gjithë ato fjalime në lidhje me të drejtat e njerëzve për t’u vendosur të gjithë në të njëjtën peshore; të pamend, ose më keq akoma, janë ato kundërshtime kundër hirit zgjedhës, që nuk janë veçse rebelimet e natyrës krenare njerëzore kundra kurorës dhe skeptrit të Jehovait.
Kur sillemi për të parë vetë rrënimin tonë të plotë, shkretëtirën tonë plot lëngime dhe drejtësinë e vendimit hyjnor kundra mëkatit, atëherë jo më gjatë nxjerrim kleçka kundër të vërtetës se Zoti nuk është i detyruar të na shpëtojë; ne nuk murmurisim nëse Ai zgjedh të shpëtojë të tjerë, sikur kjo gjë të na lëndonte, por ndjejmë se nëse begenis të na shikojë, do të jetë prej veprës së Tij falas të mirësisë së pamerituar, për të cilën ne do të bekojmë përherë emrin e Tij. Si vallë, ata që janë subjektet e zgjedhjes hyjnore do të adhuronin mjaftueshëm hirin e Perëndisë? Ata nuk kanë arsye për t’u mburrur, sepse sovraniteti e përjashton mburrjen në mënyrë shumë efektive. Vetëm vullneti i Zotit është i lavdëruar dhe vetë koncepti i meritës njerëzore flaket jashtë me përçmim të përhershëm. Nuk ka doktrinë më përulëse në Shkrim se sa ajo e zgjedhjes, asnjë që lartëson aq shumë mirënjohjen dhe si rrjedhim asnjë më tepër shenjtëruese. Besimtarët nuk duhet të kenë frikë prej saj, por me adhurim duhet të gjejnë gëzim në të.
26 nëntor-mëngjes
“Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde.”
{Predikuesi 9:10}
“Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde,” do të thotë punë që janë të mundura. Ka shumë gjëra që zemra jonë gjen për të bërë që nuk do t’i bëjë kurrë. Është mirë që kjo gjë është në zemrën tonë, por nëse do të donim të ishim shumë të dobishëm, ne nuk duhet të jemi të kënaqur duke formuar skema në zemrën tonë dhe veç të flasim për to; ne duhet të zbatojmë praktikisht “tërë ato që dora jonë gjen për të bërë.” Një vepër e mirë është shumë më e mirë se sa një mijë teori të shkëlqyeshme. Le të mos presim për mundësi të mëdha, ose për ndonjë lloj tjetër pune, por le të bëjmë gjërat “që gjejmë për të bërë” ditë për ditë. Ne nuk kemi kohë tjetër për të jetuar. E kaluara ka shkuar; e ardhmja nuk ka ardhur; ne nuk do të kemi kohë tjetër përveçse të tashmes. Atëherë mos prit derisa përjetimi yt të rritet në pjekuri përpara se të përpiqesh t’i shërbesh Perëndisë.
Përpiqu tani të japësh fryte. Shërbeji Perëndisë tani, por ji i kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si kryen ato që gjen të bësh—”bëji me gjithë forcën tënde.” Bëje atë menjëherë; mos e ço dëm jetën tënde vetëm duke menduar për synimet e të nesërmes sikur kjo gjë të shpërblente përtacinë e sotme. Askush nuk i shërbeu ndonjëherë Perëndisë duke i lënë gjërat për nesër. Nëse nderojmë Krishtin dhe jemi të bekuar është me anë të gjërave që bëjmë sot. Çfarëdo që bën për Krishtin kushtoja të gjithë shpirtin. Mos i jep Krishtit pak punë të përciptë, e kryer si diçka e rëndomtë, por kur i shërben Atij, bëje këtë me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tënde. Por ku është fuqia e të krishterit? Nuk gjendet në vetvete, sepse ai është dobësi e plotë. Fuqia e tij qëndron në Zotin e Ushtrive. Atëherë le të kërkojmë ndihmën e Tij; le të vazhdojmë me lutje dhe besim, dhe kur kemi bërë atë që dora jonë “ka gjetur për të bërë,” le të presim Zotin për bekimin e Tij. Çfarë bëjmë në këtë mënyrë do të bëhet mirë dhe nuk do të dështojë në efektet e saj.
26 nëntor-mbrëmje
“Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit.”
{Zakaria 4:10}
Gjëra të vogla shënuan fillimin e punës në dorën e Zorobabelit, por askush nuk duhet ta përçmojë këtë, sepse Zoti kishte ngritur dikë që do të këmbëngulte derisa gur kyçi të vendosej me thirrma hareje. Plumbçja ishte në duar të mira. Këtu është ngushëllimi i çdo besimtari në Zotin Jezus; vepra e hirit le të jetë shumë e vogël në fillimet e saj, plumbçja është në duar të mira, një mjeshtër më i madh se Solomoni ka ndërmarrë ngritjen e tempullit hyjnor dhe Ai nuk do të dështojë as nuk do të dekurajohet derisa të ngrihet maja më e lartë. Nëse plumbçja do të gjendej në duart e ndonjë qenie thjesht njerëzore, ne duhet të kishim frikë për ndërtesën, por kënaqësia e Zotit do të përparojë në dorën e Jezusit.
Punët nuk ecën në mënyrë të çrregullt dhe pa kujdes sepse dora e mjeshtrit mbante një instrument të mirë. Nëse muret do të ishin ngritur me nxitim pa mbikëqyrje të duhur, ato mund të kishin dalë jashtë plumbçes, por plumbçja ishte e përdorur prej mbikëqyrësit të zgjedhur. Jezusi është duke vëzhguar përherë ngritjen e tempullit të Tij shpirtëror, që të mund të ndërtohet mirë dhe i sigurtë. Ne nxitojmë, por Jezusi gjykon. Ai do të përdorë plumbçen dhe ajo që është jashtë vijës duhet të rrëzohet, çdo gur i saj. Prandaj dhe shumë vepra në dukje të suksesshme kanë dështuar, shumë dëshmi të shkëlqyera në dukje janë rrëzuar. Nuk na përket neve të gjykojmë kishën e Zotit, përderisa Jezusi ka një dorë të fortë dhe një sy të saktë, dhe mund ta përdorë plumbçen mirë. A nuk gëzohemi ndërsa shikojmë se gjykimi është lënë në dorë të Tij? Plumbçja përdorej aktivisht—gjendej në dorën e ndërtuesit, një tregues i sigurtë ky se Ai synonte të çonte punën deri në fund. O Zot Jezus, sa të gëzuar do të ishim nëse do të të dallonim në veprën Tënde të madhe. O Sion, i bukuri Sion, muret e tua janë akoma të rrënuara! Ngrihu,Ti Ndërtues i lavdishëm dhe bëj që dëshpërimet e saj të kthehen në gëzim me ardhjen Tënde.
27 nëntor-mëngjes
“Kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit.”
{Zakaria 3 :1}
Në kryepriftin Jozue ne shohim një figurë të secilit prej fëmijëve të Perëndisë, që është afruar me anë të gjakut të Krishtit dhe është mësuar në shërbesën e gjërave të shenjta dhe të hyjë në pjesën që është brenda velit. Jezusi na ka bërë priftërinj dhe mbretër për Perëndinë dhe madje edhe këtu mbi tokë ne ushtrojmë priftërinë e jetës së përkushtuar dhe shërbimit të shenjtë. Mirëpo për këtë kryeprift të shenjtë thuhet se “qëndron drejt përpara engjëllit të Zotit,” domethënë, qëndron për të shërbyer. Ky duhet të jetë pozicioni i përhershëm i çdo besimtari të vërtetë. Çdo vend është tani tempulli i Perëndisë dhe populli i Tij mund t’i shërbejë aq me vërtetësi në punët e tyre të përditshme po ashtu si në shtëpinë e Tij. Ata duhet të jenë gjithmonë “duke shërbyer,” duke ofruar flijimin shpirtëror të lutjes dhe lavdisë dhe duke paraqitur vetveten si një “flijim të gjallë.”
Por vëre se ku qëndron Jozueu për të shërbyer, është përpara engjëllit të Jehovait. Është vetëm me anë të një ndërmjetësi që ne të fëlliqurit e gjorë mund të bëhemi priftërinj për Perëndinë. Atë që kam e paraqes përpara korrierit, engjëllin e besëlidhjes, Zotin Jezus; dhe me anë të Tij lutjet e mia gjejnë pranim të mbështjellur në lutjet e Tij; lutjet e mia bëhen të ëmbla teksa janë të lidhura me tufa mirre, aloe prej vetë kopshtit të Krishtit. Nëse nuk do t’i sillja gjë tjetër veçse lotët e mi, ai do t’i vendoste bashkë me vetë lotët e tij në paguren e tij sepse një herë ai qau; nëse nuk mund t’i sjell gjë tjetër përveçse psherëtimave, ai do t’i miratojë si një flijim i pranueshëm, sepse një herë ai ishte zemërthyer dhe psherëtiu rëndë në frymë. Unë vetë, duke qëndruar në Të, jam i pranuar në të Shumëdashurin; dhe të gjitha veprat e mia të ndotura, edhe pse në vetvete janë veçse objekte të neverisë hyjnore, pranohen në mënyrë të tillë që Perëndia ndjen një erë të ëmbël. Ai është i kënaqur dhe unë jam i bekuar. Shiko, pra, pozicionin e të krishterit—”një prift—duke qëndruar—përpara engjëllit të Zotit.”
27 nëntor-mbrëmje
“Faljen e mëkateve, sipas pasurive së hirit të Tij.”
{Efesianëve 1 :7}
A mund të këtë vallë një fjalë më të ëmbël në çfarë do lloj gjuhe të jetë se sa fjala “falje,” kur ajo tingëllon në veshin e një mëkatari, ashtu si notat e argjendta të jubileut për Izraelitët e robëruar? I bekuar, i bekuar përjetë qoftë ai yll i faljes që shkëlqen në birucën e të dënuarit dhe i jep atij që po vdes një rreze shprese mes mesnatës së dëshpërimit! A mund të jetë e mundur se mëkati, ashtu si ai i imi, mund të falet, i falur plotësisht dhe përjetë? Ferri është risku im si mëkatar—nuk ka mundësi të shpëtoj prej tij ndërsa mëkati qëndron mbi mua—a mundet vallë barra e fajit të hiqet, njolla flakë e kuqe të fshihet? A mundet vallë gurët e pathyeshëm të burgut tim të shkëputen prej kllapave të tyre, ose portat të ngrihen prej menteshave të tyre? Jezusi më thotë se prapëseprapë mund të jem i sigurtë.
I bekuar qoftë përjetë zbulimi i dashurisë shpenguese që jo vetëm më thotë se falja është e mundur, por se ajo është e siguruar ndaj të gjithë atyre që prehen në Jezusin. Kam besuar në shlyerjen e caktuar nga Perëndia, në vetë Jezusin e kryqëzuar dhe prandaj mëkatet e mia janë në këtë çast dhe përjetë të falur me anë të virtytit të dhimbjeve dhe vdekjes së tij zëvendësuese. Çfarë gëzimi që është ky! Çfarë bekimi që të jesh një shpirt i falur përkryershmërisht! Shpirti im ia përkushton të gjitha fuqitë Atij që prej dashurisë së paçmuar u bë siguria ime dhe kreu për mua shpengimin me anë të gjakut të tij. Çfarë pasurish hiri që shfaq falja falas! Të falesh tërësisht, falas, përjetë! Këtu ka një yjësi çudirash; dhe kur mendoj se sa të mëdhenj që janë mëkatet e mia, sa të shtrenjtë që ishin pikat e çmuara që më pastruan prej tyre dhe sa e hirshme ishte metoda me anë të cilës falja më vulosi, gjendem në një labirint ndjenjash habie adhuruese. Përkulem përpara fronit që më shleu, mbërthej kryqin që më çliroi; që këtej e tutje i shërbej të gjitha ditët e mia Perëndisë të mishëruar, me anë të Cilit jam sonte një shpirt i falur.
28 nëntor-mëngjes
“U gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën.”
{3 Gjoni 1 :3}
E vërteta ishte në Gajin dhe Gaji ecte në të vërtetën. Nëse e para nuk do të kishte qenë e vërtetë, e dyta nuk do të mund të ndodhte kurrë; dhe nëse e dyta nuk mund të thuhej për të, e para do të kishte qenë thjesht një pretendim. E vërteta duhet të hyjë në shpirt, ta depërtojë dhe ta ngopë atë, ose përndryshe nuk hyn në punë. Doktrinat e mbajtura si një çështje kredoje janë si buka në dorë, që nuk i jep ushqim trupit, por doktrinat e pranuara prej zemrës, janë një ushqim i tretur, që, me anë të përthithjes, mbështet dhe rrit trupin. Brenda nesh e vërteta duhet të jetë një fuqi e gjallë, një energji vepruese, një realitet i brendshëm, një pjesë e qenies sonë. Nëse ajo është brenda nesh, ne nuk mund të heqim dorë prej saj. Një njeri mund të humbasë rrobat ose gjymtyrët e tij, por pjesët e tij të brendshme janë jetësore dhe nuk mund të shkëputen dot pa humbur edhe jetën. Një i krishterë mund të vdesë, por ai nuk mund ta mohojë të vërtetën. Tani, është një rregull e natyrës se e brendshmja prek të jashtmen, ashtu si drita shkëlqen nga qendra e fenerit përmes xhamit; prandaj, kur e vërteta ndizet brenda nesh, shkëlqimi i saj rrezaton në jetën e jashtme dhe në sjelljen tonë.
Thuhet se ushqimi i disa krimbave ngjyros fshikën e argjendtë që ato tjerrin; dhe po ashtu ushqimi me të cilin jeton natyra e brendshme, i jep ngjyrë çdo fjale dhe vepre që vjen prej tij. Të ecësh në të vërtetën, nënkupton një jetë ndershmërie, shenjtërie, besnikërie dhe thjeshtësie—të gjitha këto janë prodhimi natyror i atyre parimeve të së vërtetës që ungjilli na mëson dhe që Fryma e Perëndisë na mundëson të marrim. Ne mund të gjykojmë sekretet e shpirtit me anë të shfaqjes së tyre në sjelljen e një njeriu. Qoftë e jona, o Frymë e hirshme, të jemi të udhëhequr dhe të sunduar prej autoritetit Tënd hyjnor, kështu që asgjë e rreme ose mëkatare të mos mbretërojë në zemrat tona, në mënyrë që të mos shtrijë ndikimin e lig në ecjen tonë të përditshme mes njerëzve.
28 nëntor-mbrëmje
“Ai kërkonte të mirën e popullit të tij.”
{Esteri 10 :3}
Mardokeu ishte një atdhetar i vërtetë dhe prandaj, duke qenë i ngritur në pozicionin më të lartë nën Asueron, ai përdori ngritjen e tij për të përkrahur begatinë e Izraelit. Në këtë gjë, ai ishte një tip i Jezusit, i Cili, mbi fronin e Tij të lavdisë, nuk kërkon të vetën, por shpenzon fuqinë e Tij për popullin e Tij. Do të ishte mirë nëse çdo i krishterë të ishte një Mardoke për kishën, duke u përpjekur sipas aftësisë së tij për begatinë e saj. Disa janë vendosur në pozita pasurie dhe ndikimi, le të nderojnë Zotin e tyre në vendet e larta të tokës dhe të dëshmojnë për Jezusin përpara njerëzve. Të tjerët kanë çfarë është shumë më e mirë, domethënë, shoqërim të ngushtë me Mbretin e mbretërve, le të sigurohen për të ndërhyrë përditë për të dobëtin e popullit të Zotit, dyshuesin, të tunduarin dhe të pa ngushëlluarin. Do t’i kthehet në nderin e tyre nëse bëjnë shumë ndërhyrje për ata që janë në errësirë dhe nuk guxojnë t’i afrohen fronit të mëshirës.
Besimtarët e mësuar mund t’i shërbejnë shumë Mjeshtrit të tyre nëse e shfrytëzojnë talentin për të mirën e përgjithshme dhe ia kalojnë të tjerëve pasurinë e mësimit të tyre qiellor, duke i mësuar atyre gjërat e Perëndisë. Më i vogli në Izraelin tonë mund së paku të kërkojë mirëqenien e popullit të tij; dhe dëshira e tij, nëse nuk mund të japë dot më shumë, do të jetë e pranueshme. Kur një besimtar resht të jetojë për vetveten kjo e bën menjëherë më të ngjashëm me Krishtin dhe kështu ai ndjek shtegun më të lumtur për të. Ai që bekon të tjerët nuk mund të mos bekohet vetë. Në anën tjetër, të kërkosh vetë madhështinë personale është një plan jete i lig dhe i palumtur që do të ketë një rrugë të dhimbshme dhe fund fatal. Këtu është vendi për të të pyetur, miku im, nëse je duke kërkuar me tërë fuqinë tënde begatinë e kishës në lagjen tënde! Kam besimin se nuk po i bën keq me hidhërime dhe skandale, ose duke e dobësuar me neglizhencën tënde. Mik, bashkohu me të varfërit e Zotit, mbaj kryqin e tyre, bëji atyre të gjithë të mirën që mundesh dhe nuk do ta humbasësh shpërblimin tënd.
29 nëntor-mëngjes
“Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd…qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.”
{Levitiku 19:16,17}
Shpifësi nxjerr jashtë një helm të trefishtë, sepse dëmton folësin, dëgjuesin dhe personin për të cilin flitet. Nëse fjala është e vërtetë ose e rreme, ne e kemi të ndaluar prej këtij parimi të Fjalës së Perëndisë ta përhapim atë. Nami i njerëzve të Zotit duhet të jetë shumë i çmueshëm përpara nesh dhe ne duhet ta konsiderojmë si turp të ndihmojmë djallin të çnderojë kishën dhe emrin e Zotit. Disa gjuhë kanë nevojë për një kapistër se sa për një hov me mamuze. Shumë lavdërohen duke hedhur poshtë vëllezërit e tyre sikur me këtë gjë të kishin ngritur vetveten. Bijtë e urtë të Noas hodhën një mantel mbi atin e tyre dhe ai që e përhapi të fshehtën fitoi një mallkim të tmerrshëm. Ne vetë mundet që një nga këto ditë të errëta të kemi nevojë për përmbajtje dhe heshtje prej vëllezërve tanë, le t’ia kthejmë me hare atyre që e kërkojnë atë tani. Le të jetë kjo rregulla jonë familjare dhe besa jonë personale—mos fol keq për asnjeri.
Fryma e Shenjtë, prapëseprapë na lejon të dënojmë mëkatin dhe na tregon mënyrën se si duhet ta bëjmë këtë gjë. Duhet bërë duke qortuar vëllezërit tanë ballë për ballë dhe jo duke i sharë mbrapa kurrizit. Kjo mënyrë është burrërore, vëllazërore, e ngjashme me Krishtin dhe nën bekimin e Perëndisë do të jetë e dobishme. A stepet mishi prej saj? Atëherë ne duhet ta theksojmë akoma më shumë në ndërgjegjen tonë dhe të vihemi në lëvizje, që të mos bëhemi pjesëmarrës të mëkatit dhe ta tolerojmë atë. Qindra janë shpëtuar prej mëkatesh të mëdha prej paralajmërimeve në kohën e duhur, paralajmërimeve të urta dhe të ngrohta të shërbyesve dhe vëllezërve besnikë. Zoti ynë Jezus na ka dhënë një shembull të hirshëm se si të sillemi me miq të hallakatur me paralajmërimin që iu dha Pjetrit, me lutjen me anë të cilës Ai e parapriu dhe mënyrën mirëdashëse me të cilën Ai duroi mohimet krenare të Pjetrit se ai nuk kishte nevojë për një paralajmërim të tillë.
29 nëntor-mbrëmje
“Aroma për vajin e vajosjes.”
{Eksodi 35:8}
Ky vaj i vajosjes përdorej shumë nën ligj dhe atë që ai përfaqëson është e një rëndësie parësore nën ungjillin. Fryma e Shenjtë, që na vajos për çdo shërbim të shenjtë, është i domosdoshëm për ne nëse do të donim t’i shërbenim Zotit në mënyrë të pranueshme. Pa ndihmën e Tij, shërbimet tona fetare nuk janë veçse blatime të kota dhe përjetimi ynë i brendshëm është një gjë e vdekur. Sa herë që pleqtë tanë janë pa vajosje, çfarë gjë e mjerueshme që është! po ashtu edhe lutjet, lavditë, përsiatjet dhe përpjekjet individuale të të krishterëve nuk vlejnë asgjë më shumë. Një vajosje e shenjtë është shpirti dhe jeta e përshpirtshmërisë, mungesa e saj është gjëja më e dhembshme e çdo fatkeqësie.
Të shkosh përpara Zotit pa vajosje është sikur disa levitë të zakonshëm të kishin veshur vetë detyrën e priftit—shërbesat e tyre do të kishin qenë më tepër mëkate se sa shërbime. Le të mos guxojmë në ushtrimin e praktikave të shenjta pa vajosjet e shenjta. Ato pikojnë mbi ne prej Kokës sonë të lavdishëm; prej vajosjes së Tij; ne që jemi cepat e petkut të Tij, kemi pjesë në një vajosje të plotë. Aroma të përzgjedhura ishin të përbëra me artin më të rrallë të barnatarit për të formuar vajin vajosës, për të na nxjerrë në pah se sa të pasura janë të gjitha ndikimet e Frymës së Shenjtë. Të gjitha gjërat e mira gjenden në Ngushëlluesin hyjnor. Ngushëllim i pakrahasueshëm, mësim i padështueshëm, ringjallje e përjetshme, energji shpirtërore dhe shenjtërim hyjnor, të gjitha janë të përziera me shkëlqesi të tjera në atë balsam të shenjtë, vajin vajosës hyjnor të Frymës së Shenjtë. Ai i tejçon një aromë të shumëkëndshme karakterit dhe personit mbi të cilin është i derdhur. Asgjë si ai nuk mund të gjendet në të gjitha thesaret e tokës, ose në sekretet e të urtit. Nuk mund të imitohet dot. Vjen vetëm prej Perëndisë dhe është i dhënë falas, përmes Jezus Krishtit, për çdo shpirt pritës. Le ta kërkojmë, sepse mund ta kemi atë, mund ta kemi këtë mbrëmje. O Zot, vajos shërbëtorët e tu.
30 nëntor-mëngjes
“Amatsuahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: “Por çdo t’i bëj njëqind talentat që ai dhashë ushtrisë së Izraelit?”. Njeriu i Perëndisë u përgjigj: “Zoti mund të të japë më tepër se aq.”
{2 Kronika 25:9}
Dukej se kjo ishte një pyetje shumë e rëndësishme për mbretin e Judës dhe ka gjasa të jetë edhe më me peshë akoma për të krishterin e tunduar dhe të sprovuar. Të humbësh para nuk është asnjëherë e këndshme dhe kur ruajtja e parimit përfshin këtë gjë, mishi nuk është gjithmonë i gatshëm të bëj sakrifica. “Pse të humbësh vallë atë që mund të përdoret me kaq dobi? Edhe vetë e vërteta blihet shumë shtrenjtë? Çfarë do të bëjmë tani? Kujto fëmijët dhe të ardhurat tona të pakta!” Të gjitha këto gjëra dhe një mijë të tjera do të tundonin të krishterin për të zgjatur dorën drejt një fitimi të padrejtë, ose për ta mbajtur larg zbatimit të bindjeve të tij të ndërgjegjshme, kur ato përfshijnë humbje serioze. Të gjithë njerëzit nuk mund të shikojnë dot këto çështje nën dritën e besimit; dhe madje edhe me ndjekësit e Jezusit, doktrina “ne duhet të jetojmë” ka një peshë të konsiderueshme.
Zoti mund të të japë më tepër se aq, është një përgjigje e kënaqshme për pyetjen e ethshme. Ati ynë mban gjalmin e qeses me para dhe atë që humbasim për hir të Tij, Ai mund ta kthejë një qind herë më shumë. Na përket ne t’i bindemi vullnetit të Tij dhe ne mund të jemi të sigurtë se Ai do të sigurojë furnizim për ne. Së fundmi Zoti nuk do të jetë borxhliu i asnjë njeriu. Shenjtorët e dinë se një thërrmije paqe zemre ka më shumë vlerë se një ton ar. Ai që mban veshur një xhaketë të cergosur dhe që ka një ndërgjegje të mirë ka fituar një pasuri shpirtërore shumë më të dëshirueshme sa çdo gjë që ka humbur. Buzëqeshja e Perëndisë dhe një birucë janë mjaftueshëm për një zemër të vërtetë; vrenjtja e Tij dhe një pallat do të ishin një ferr për një shpirt të hirshëm. Më e keqja le t’i ndodhë më të keqit, le të shkojnë të gjitha talentet, ne nuk e kemi humbur thesarin tonë, sepse ai është lart, ku Krishti ulet në krahun e djathtë të Perëndisë. Ndërkohë, edhe tani, Zoti e bën zemërbutin të trashëgojë tokën dhe nuk i kursen asgjë të mirë atyre që ecin drejtë.
30 nëntor-mbrëmje
“Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan.”
{Zbulesa 12:7}
Lufta gjithmonë do të ziejë midis dy pushteteve derisa njëri ose tjetri të shtypet. Paqja midis së mirës dhe të ligës është një pamundësi; thjesht pretendimi do të ishte në fakt një triumf i fuqive të errësirës. Mikaeli do të luftojë gjithmonë; shpirti i tij i shenjtë është i zemëruar me mëkatin dhe nuk mund ta durojë atë. Jezusi do të jetë gjithmonë armiku i dragoit dhe jo një armik që nuk ndihet, por veprues, fuqishëm, me një vendosmëri të plotë për të zhdukur të ligën. Të gjithë shërbëtorët e Tij, qofshin engjëjt në qiell ose korrierët në tokë, do të luftojnë dhe duhet të luftojnë; ata janë lindur për të qenë luftëtarë—në kryq ata hyjnë në besëlidhje për të mos bërë kurrë armëpushim me të ligun; ata janë një shoqëri luftarake, të patundur në mbrojtje dhe të zjarrtë në sulm. Detyra e çdo ushtari të ushtrisë së Zotit është të luftojë përditë kundra dragoit, me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën e tij.
Dragoi dhe engjëjt e tij nuk do të shmangin përleshjen; ata nuk pushojnë në sulmet e rrepta, duke mos kursyer asnjë armë, të ndershme ose hileqare. Ne jemi të çmendur nëse mendojmë t’i shërbejmë Perëndisë pa kundërshtim; aq më shumë që jemi të zellshëm, aq më e sigurtë është se do të sulmohemi prej mirmidonëve të ferrit. Kisha mund të bëhet e plogësht, por jo kështu kundërshtari i saj i madh; shpirti i tij që nuk gjen prehje, nuk lejon kurrë që lufta të pushojë; ai e urren farën e gruas dhe do të dëshironte me zjarr të gllabëronte kishën nëse do të mundte. Shërbëtorët e satanit kanë shumë pjesë në energjinë e dragoit të vjetër dhe janë zakonisht një racë vepruese. Lufta zien përreth dhe të ëndërrosh për paqe është e rrezikshme dhe e kotë.
Lavdi Perëndisë, ne e dimë se si do të përfundojë lufta. Dragoi i madh do të hidhet jashtë dhe do të shkatërrohet përjetë, ndërsa Jezusi dhe ata që janë me Të do të marrin kurorën. Le të mprehim shpatat tona sonte dhe t’i lutemi Frymës së Shenjtë të forcojë krahët tanë për betejën. Nuk ka betejë më të rëndësishme, nuk ka kurorë më të lavdishme. Ju luftëtarë të kryqit, çdo njeri në vendin e tij dhe Zoti shtyptë së shpejti kokën e satanit nën këmbët tuaja!