1 janar-mëngjes
“Atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.”
{Jozeu 5 :12}
Bredhjet e lodhshme të Izraelit morën fund dhe prehja e premtuar u arrit. Jo më tenda të zhvendosura, gjarpërinj të zjarrtë, amalekitë të egër dhe shkretëtirë e frikshme; ata mbërritën te toka që rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe hëngrën prej grurit të tokës. Ndoshta këtë vit, lexues i krishterë i dashur, ky mund të jetë rasti yt ose i imi. E ardhmja në horizont është e gëzueshme dhe nëse besimi ushtrohet, do të të japë një kënaqësi të pastër. Të jesh me Jezusin në prehjen që mbetet për popullin e Perëndisë është me të vërtetë një shpresë e gëzueshme dhe të presësh këtë lavdi kaq shpejt është një lumni e dyfishtë. Mosbesimi dridhet pranë Jordanit që akoma rrjedh midis nesh dhe tokës së mbarë, por le të jemi të siguruar se kemi përjetuar tashmë më shumë sprova se sa vetë vdekja do të mund të na shkaktonte. Le të largojmë tutje çdo mendim të frikshëm dhe le të gëzohemi me një gëzim tepër të madh, me mendimin se këtë vit do të fillojmë të “jemi përherë bashkë me Zotin.”
Një pjesë e ushtrisë këtë vit do të qëndrojë në tokë të kryejnë shërbimin për Zotin e tyre. Nëse ky do jetë risku ynë, nuk ka arsye pse teksti i Vitit të Ri të mos jetë i vërtetë akoma. “Sepse ne që besuam hyjmë në prehje.” Perëndia Fryma e Shenjtë është kapari i trashëgimisë sonë ; Ai na jep “lavdi e filluar këtu poshtë.” Në qiell ata janë të sigurtë dhe po ashtu jemi edhe ne të ruajtur në Krishtin Jezus; atje ata triumfojnë mbi armiqtë e tyre dhe ne kemi fitore gjithashtu. Shpirtrat qiellore gëzojnë shoqërim me Zotin e tyre dhe kjo nuk na mohohet; ata prehen në dashurinë e Tij dhe ne kemi paqe të përkryer në Të; ata i këndojnë himne lavdisë së Tij dhe është privilegji ynë gjithashtu që ta bekojmë. Këtë vit ne do të mbledhim fryte qiellore në dheun e tokës ku besimi dhe shpresa e kanë bërë shkretëtirën si kopshti i Zotit. Njerëzit hëngrën me të vërtetë ushqimin e engjëjve në kohët e vjetra dhe pse jo tani? Oh paçim hir për t’u ushqyer me Jezusin dhe kështu të hamë prej frytit të tokës së Kananit këtë vit!
1 janar-mbrëmje
“Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti.”
{Kantiku i kantikëve 1 :4}
Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi të ti. Ne nuk do t’ia hapim dyert e vitit notave të dhembshme të trombonës, por melodive të ëmbla të harpës së gëzimit dhe tingullit të artë të cimbaleve të haresë. “Ejani, t`i këndojmë me gëzim Zotit; t`i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.” Ne, të thirrurit, besnikët dhe të zgjedhurit do të flakim tutje dhembjet tona dhe do ngremë lart flamujt e mirëbesimit në emrin e Perëndisë. Të tjerët le të vajtojnë prej telasheve të tyre, ne që kemi drurin që i ktheu në të ëmbël ujërat e hidhur të Marës do të madhërojmë me gëzim Zotin. Frymë e Përjetshme, Ngushëlluesi ynë i efektshëm, ne që jemi tempujt ku Ti banon, nuk do të pushojmë kurrë të të adhurojmë dhe të të bekojmë në emrin e Jezusit. Ne jemi të vendosur që Jezusi të ketë kurorën e kënaqësisë së zemrës sonë; ne nuk do të çnderojmë dhëndrin tonë duke qenë të zymtë në praninë e Tij.
Ne jemi të caktuar të jemi këngëtarët e qiejve, le të përsërisim himnin tonë të përjetshëm përpara se ta këndojmë në oborret e Jeruzalemit të Ri. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi; dy fjalë me një kuptim, gëzim të dyfishtë dhe bekim mbi bekim. A ka nevojë të ketë ndonjë kufi për gëzimin tonë në Zotin edhe tani? A nuk i duket njerëzve të hirit Zoti i tyre të jetë si livanda dhe kanella dhe çfarë arome më të mirë akoma ata do të kenë në vetë qiellin? Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te Ti. Fjala e fundit është thelbi dhe shpirti i tekstit. O çfarë qiejsh janë të shpalosur në Jezusin! Çfarë lumenjsh lumnie të pafundme kanë burimin e tyre, po, dhe çdo pikë të plotësisë së tyre në Të. Përderisa, O Zot Jezus i ëmbël, Ti je risku i pranishëm i popullit Tënd, na favorizo këtë vit me një ndijim të tillë të çmueshmërisë Tënde në mënyrë që prej ditës së tij të parë deri në ditën e fundit të mund të kënaqemi dhe të gëzohemi në Ty. Le të hapet janari me gëzim në Zotin dhe dhjetori të mbyllet me hare në Jezusin.
2 janar-mëngjes
“Ngulmoni në të lutur.”
{Kolosianët 4 :2}
Është interesante të vësh re se sa e madhe është pjesa e Shkrimit të Shenjtë e zënë prej temës së lutjes, qoftë duke dhënë shembuj, duke zbatuar parime, ose duke shprehur premtime. Ne sapo hapim Biblën dhe lexojmë, “atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit;” dhe sapo bëhemi gati të mbyllim librin, “Amen-i” i një përgjërimi të zellshëm tingëllon në veshin tonë. Shembujt janë të shumtë. Këtu ne gjejmë një Jakob luftues—atje një Daniel që lutet tre herë në ditë—dhe një David i cili me gjithë zemrën e tij i thërret Perëndisë. Mbi mal ne shikojmë Elian; në birucë Palin me Silasin. Kemi shumicë urdhëresash dhe miriada premtimesh. Çfarë na mëson kjo, përveçse rëndësinë e shenjtë dhe nevojshmërinë e lutjes? Le të jemi të sigurtë se çfarë do që Perëndia ka bërë të spikatur në Fjalën e tij, ka pasur për qëllim të jetë e dukshme në jetën tonë. Nëse Ai flet shumë për lutjen, është sepse e di se ne kemi shumë nevojë për të. Kaq të thella janë nevojat tona, sa derisa të jemi në qiell ne nuk duhet të pushojmë së luturi. Nuk do asgjë? Atëherë, kam frikë se ti nuk e njeh varfërinë tënde.
A nuk ke hir vallë që të kërkosh nga Perëndia? Atëherë, mëshira e Zotit të tregoftë mjerimin tënd! Një shpirt pa lutje është një shpirt pa Krisht. Lutja është belbëzimi i fëmijës besimtar, goditja e besimtarit luftëtar, rekuiemi i shenjtorit ndërsa vdes duke rënë në gjumë në Jezusin. Është frymëmarrja, kryefjala, ngushëllimi, forca, nderi i një të krishteri. Nëse je një fëmijë i Perëndisë, do të kërkosh fytyrën e Atit tënd dhe do të jetosh në dashurinë e Atit tënd. Lutu që këtë vit të jesh i shenjtë, i përulur, i zellshëm dhe i durueshëm; të kesh shoqërim më të ngushtë me Krishtin dhe të hysh më shpesh në shtëpinë gostive të dashurisë së Tij. Lutu që të mund të jesh një shembull dhe një bekim për të tjerët dhe që të mund të jetosh më tepër për lavdinë e Mjeshtrit tënd. Parulla e këtij viti duhet të jetë, “Ngulmoni në të lutur.”
2 janar-mbrëmje
“Le të marrin forca të reja popujt.”
{Isaia 41 :1}
Çdo gjë mbi tokë ka nevojë të ripërtërihet. Asgjë e krijuar nuk vazhdon vetvetiu. “Ti ripërtërin faqen e dheut” ishte thënia e Psalmistit. Edhe pemët, që nuk kujdesen për veten dhe po ashtu nuk punojnë, duhet të pinë prej shiut të qiellit dhe të thithin prej thesareve të fshehura të tokës. Kedrat e Libanit, që Perëndia ka mbjellur, jetojnë ditë për ditë sepse janë plot me limfë të freskët e tërhequr prej tokës. Po ashtu edhe jeta e njeriut nuk mund të mbahet gjallë pa ripërtëritjen e Perëndisë. Ashtu siç është e nevojshme të ndreqësh shkapërderdhjen e trupit me vakte të shpeshta, po ashtu ne duhet të ndreqim shkapërderdhjen e shpirtit duke u ushqyer me Librin e Perëndisë, ose duke dëgjuar Fjalën e predikuar, ose me anë të tryezës shpirtmajmëse të urdhëresave. Sa të ndrydhura janë hiret tona kur mjetet janë të lëna pas dorë! Sa të uritur të gjorë që janë disa shenjtorë që jetojnë pa përdorimin e zellshëm të Fjalës së Perëndisë dhe lutjes së fshehtë! Nëse përshpirtshmëria jonë mund të jetojë pa Perëndinë, atëherë nuk është prej krijimit hyjnor; nuk është veçse një ëndërr, sepse po të kishte lindur nga Perëndia, do të priste për Të ashtu si lulet presin vesën.
Pa ripërtëritje të vazhdueshme ne nuk jemi gati për sulmet e vazhdueshme të ferrit, ose zemërdhembjet e ashpra të qiellit, ose edhe për luftërat përbrenda. Kur stuhia do të lëshohet, mjerë pema që nuk ka thithur limfë të freskët dhe që nuk ka mbërthyer shkëmbin me shumë rrënjë të ndërthurura. Kur tufani ngrihet, mjerë marinarët që nuk kanë forcuar direkun, nuk kanë hedhur spirancën, as nuk kanë kërkuar limanin. Nëse e lejojmë të mirën të dobësohet, i ligu me siguri do të mbledhë forca dhe do të luftojë dëshpërimisht për të na zotëruar; dhe kështu që, ndoshta, një dëshpërim i dhimbshëm dhe një turpërim i vajtueshëm mund të vijë më pas. Le të afrohemi afër fronit të mëshirës hyjnore me lutje të përulur dhe do të përjetojmë përmbushjen e premtimit, “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja.”
3 janar-mëngjes
“Dhe do të bëj aleancën e popullit.”
{Isaia 49 :8}
Vetë Jezu Krishti është përmbledhja dhe thelbi i besëlidhjes dhe si një prej dhurimeve të saj, Ai është zotërimi i çdo besimtari. Besimtar, a mund të vlerësosh vallë se çfarë ke marrë në Krisht? “Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” Merr në konsideratë atë fjalë “Perëndi” dhe pafundësinë e saj dhe pastaj përsiat mbi “njeriun e përkryer” dhe mbi gjithë bukurinë e tij, sepse gjithçka që Krishti, si Perëndi dhe njeri, pati ose mund të ketë, është e jotja—e kaluar te ty prej favorit të Tij krejtësisht falas për të qenë zotërimi yt përjetë. Jezusi ynë i bekuar, si Perëndi, është i gjithëdijshëm, i kudopranishëm, i plotfuqishëm.
A nuk do të ngushëllojë vallë të dish se të gjitha këto atribute të lavdishme dhe të mëdha janë gjithashtu tuat? A ka Ai fuqi? Ajo fuqi është e jotja për të të mbështetur, për të të forcuar, për të mposhtur armiqtë e tu dhe për të të ruajtur deri në fund. A ka Ai dashuri? Mirë pra, nuk ka as edhe një pikë dashurie në zemrën e Tij që nuk është e jotja; ti mund të zhytesh në oqeanin e tejmadh të dashurisë së Tij dhe mund të thuash në lidhje me atë të gjithë, “Është imi.” A ka Ai drejtësi? Mund të duket një atribut i ashpër, por edhe ajo është e jotja, sepse me anë të drejtësisë së Tij Ai do të kujdeset që gjithçka që të është premtuar në besëlidhjen e hirit të të sigurohet pa më voglin dyshim. Dhe gjithçka që Ai ka si një njeri i përkryer është e juaja gjithashtu. Si një njeri i përkryer ëndja e Atit ishte mbi të. Ai u pranua prej Shumëtëlartit. O besimtar, pranimi i Krishtit prej Perëndisë është pranimi yt, sepse a nuk e di vallë se dashurinë që Ai vendosi në një Krisht të përkryer e vendos tani mbi ty? Sepse gjithçka që Krishti bëri është e jotja. Atë drejtësi të përkryer që Jezusi jetoi, ndërsa gjatë jetës së tij Të panjollë Ai respektoi ligjin dhe e nderoi, është e jotja dhe të është numëruar. Krishti është në besëlidhjen.
Perëndia im, jam i yti—çfarë ngushëllimi hyjnor!
Çfarë bekimi të njohësh se Shpëtimtari është i imi!
Në Qengjin qiellor jam tri herë i lumtur,
Dhe zemra ime vallëzon tek dëgjon emrin e Tij.
3 janar-mbrëmje
“Ja zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij.” {Lluka 3:4}
Zëri që thërriste në shkretëtirë kërkoi një udhë për Zotin, një udhë të përgatitur, një udhë të përgatitur në shkretëtirë. Do të jem i kujdesshëm ndaj shpalljes së Zotit dhe do t’i hap Atij një udhë në zemrën time, e çarë prej ndërhyrjeve të hirshme, përmes shkretëtirës së natyrës sime. Katër drejtimet në tekst duhet të kenë vëmendjen time më të kujdesshme.
Çdo luginë duhet të lartësohet. Duhet hequr dorë prej mendimeve të ulëta dhe të poshtra kundrejt Perëndisë; dyshimi dhe dëshpërimi duhet të hiqen; dhe egoizmi dhe kënaqësitë mishore duhet të braktisen. Përmes këtyre luginave të thella duhet të ngrihet një rrugë e lavdishme hiri.
Çdo mal e kodër duhet të ulet poshtë. Vetëmjaftueshmëria krenare dhe vetëdrejtësia arrogante duhet të sheshohen për të hapur një udhë të gjerë për Mbretin e mbretërve. Shoqërimi hyjnor nuk i jepet kurrë mëkatarëve mendjengrehur dhe kryelartë. Zoti respekton të përulurin dhe viziton të pikëlluarin në zemër, por kryelartët janë një neveri për Të. Shpirti im, përgjëro Frymën e Shenjtë të të vendosë drejt në lidhje me këtë gjë.
I kërrusuri do të drejtohet. Zemra luhatëse duhet të ketë një vendimmarrje dhe shenjtëri të paluhatur për Zotin. Njerëzit me dy mendje janë të huaj për Perëndinë e së vërtetës. Shpirti im, ki kujdes që të jesh në të gjitha gjërat i ndershëm dhe i vërtetë, si nën vështrimin e Perëndisë zemërhulumtues.
Vendet e ashpra do të lëmohen. Cungjet penguese të mëkatit duhet të hiqen tutje, gjembat dhe shqopat e rebelimit duhet të çrrënjosen. Një vizitor kaq i madhërishëm nuk duhet të gjejë rrugë me baltë dhe vende me gurë kur vjen të nderojë të favorizuarit e Tij me shoqërinë e Tij. Oh që këtë mbrëmje Zoti të mund të gjejë në zemrën time një udhë të bërë gati prej hirit të Tij, që të mund të ecë përpara me triumf deri në kufijtë më të largët të shpirtit tim, prej fillimit të vitit deri në fund të tij.
4 janar-mëngjes
“Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.”
{2 Pjetri 3 :18}
“Rrituni në hirin”–jo vetëm në një hir, por në gjithë hirin. Rritu në atë rrënjë të hirit, besimi. Beso premtimet më fort se sa ke bërë deri tani. Besimi le të rritet në plotësi, qëndrueshmëri, thjeshtësi. Rritu gjithashtu në dashuri. Lutu që dashuria jote të mund të bëhet më e gjerë, më e fortë, më praktike, duke ndikuar çdo mendim, fjalë dhe vepër. Po ashtu rritu në përulësi. Kërko që të ulesh më poshtë dhe të njohësh më tepër në lidhje me hiçin tënd. Ndërsa rritesh poshtë në përulje, kërko gjithashtu të rritesh lart—duke pasur lidhje më të ngushtë me Perëndinë në lutje dhe më tepër shoqërim të ngushtë me Jezusin. Perëndia Fryma e Shenjtë të mundësoftë të “rritesh në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.” Ai që nuk rritet në njohurinë e Jezusit kundërshton të bekohet. Të njohësh Atë është “jetë e përjetshme,” dhe të përparosh në njohurinë e Tij do të thotë të rritësh lumturinë.
Ai që nuk dëshiron me zjarr të njohë më shumë në lidhje me Krishtin, nuk di asgjë për Të akoma. Kushdo që ka pirë prej verës së Tij do të ketë më shumë etje, sepse edhe pse Krishti kënaq me të vërtetë, prapëseprapë është një kënaqësi e tillë, sa oreksi nuk është i ngopur, por i hapur. Nëse e njeh dashurinë e Jezusit—ashtu si drenusha dëshiron me zjarr ujërat e përroit, po ashtu do të gulçosh për gllënjka më të thella të dashurisë së Tij. Nëse nuk dëshiron ta njohësh më mirë Atë, atëherë nuk e do, sepse dashuria gjithmonë thërret, “Më afër, më afër.” Mungesa e Krishtit është ferr, por prania e Tij është parajsë. Mos qëndro pra i kënaqur pa një njohje më të thellë me Krishtin. Kërko të njohësh më shumë për Të në natyrën e Tij hyjnore, në jetën e Tij njerëzore, në veprën e Tij të përfunduar, në vdekjen e Tij, në ringjalljen e Tij, në ndërhyrjen e Tij të lavdishme të tashme dhe në kthimin e Tij mbretëror të ardhshëm. Qëndro fort te Kryqi dhe hulumto misterin e plagëve të Tij. Një rritje e dashurisë ndaj Jezusit dhe një kuptim më i përkryer i dashurisë së Tij ndaj nesh është një prej testeve më të mirë të rritjes në hir.
4 janar-mbrëmje
“Kështu Jozefi njohu vëllezërit e tij, por ata nuk e njohën atë.”
{Zanafilla 42 :8}
Këtë mëngjes dëshirat tona u shprehën për rritje në njohjen tonë me Zotin Jezus; do të ishte mirë këtë mëngjes të merrje në konsideratë një pikë të ngjashme, që është njohja jonë prej Jozefit tonë qiellor. Kjo njohje ishte tejet e përkryer shumë më përpara se të kishim njohurinë edhe më të vogël në lidhje me Të. “Sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.” Përpara se të kishim ekzistencën në këtë botë ekzistuam në zemrën e Tij. Kur ne ishim armiq kundrejt Tij, Ai na njohu, mjerimin tonë, çmendurinë tonë dhe ligësinë tonë. Kur derdhëm lot me hidhërim në pendim dëshpërues dhe e pamë Atë vetëm si një gjykatës dhe një sundimtar, Ai na pa si vëllezër të shumëdashur dhe zemra e Tij digjej me zjarr për ne. Ai kurrë nuk i humbi të zgjedhurit e Tij, por gjithmonë i vështroi si objektet e zemërdashurisë së Tij të pafundme. “Zoti i njeh të vetët,” është po aq e vërtetë për plëngprishësin që po ushqen derrat sa për fëmijët që ulen në tryezë.
Por, sa keq! ne nuk e njihnim Vëllain tonë mbretëror dhe prej kësaj padije u rrit një ushtri mëkatesh. Ne nuk ia dhamë zemrën tonë Atij dhe nuk e lejuam të kishte hyrje në dashurinë tonë. Ne i keqbesuam dhe nuk i zumë besë fjalëve të Tij. Ne u rebeluam kundra Tij dhe nuk e nderuam. Dielli i Drejtësisë shkëlqeu dhe nuk mund ta shikonim dot. Qielli erdhi poshtë në tokë dhe toka nuk e dalloi dot. Lavdi Perëndisë, ato ditë kanë mbaruar për ne; prapëseprapë edhe tani është pak ajo që dimë për Jezusin në krahasim me atë që Ai di për ne. Ne kemi filluar të mësojmë për Të, por Ai na njeh plotësisht. Është një rrethanë e bekuar që padija nuk është në anën e Tij, sepse nëse do të ishte kështu atëherë nuk do të kishte shpresë për ne. Ai nuk do të na thotë, “Unë s’ju kam njohur kurrë,” por Ai do të rrëfejë emrat tanë në ditën e shfaqjes së Tij dhe ndërkohë do të na shfaqet ashtu si nuk e bën kundrejt botës.
5 janar-mëngjes
“Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.”
{Zanafilla 1 :4}
Me të vërtetë që drita është e mirë përderisa ajo doli prej asaj Fryme mirësie, “U bëftë drita.” Ne që e gëzojmë atë duhet të jemi më mirënjohës se ç’jemi dhe duhet të dallojmë më shumë prej Perëndisë në të dhe me të. Drita fizike thuhet prej Solomonit se është e ëmbël, por drita e ungjillit është pafundësisht më e çmueshme, sepse ajo zbulon gjëra të përjetshme dhe i shërben natyrave tona të pavdekshme. Kur Fryma e Shenjtë na jep dritë shpirtërore dhe na hap sytë për të parë lavdinë e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit, ne shikojmë mëkatin në ngjyrat e tij të vërteta dhe veten tonë në pozicionin tonë të vërtetë; ne shikojmë Perëndinë Shumëtëshenjtë ashtu siç e shfaq Veten, planin e mëshirës ashtu siç është i parashtruar dhe botën e ardhshme ashtu si Fjala e përshkruan atë. Drita shpirtërore ka shumë rreze dhe ngjyra prizmi, por qofshin ato njohuri, gëzim, shenjtëri, ose jetë, të gjitha janë hyjshmërisht të mira. Nëse kjo dritë që kemi marrë është kështu kaq e mirë, çfarë duhet të jetë vallë drita thelbësore dhe sa i lavdishëm duhet të jetë vendi ku Ai e zbulon Vetveten. O Zot, përderisa drita është kaq e mirë, na jep më shumë prej saj dhe më shumë prej Vetes tënde, drita e vërtetë.
Sapo një gjë e mirë hyri në botë, atëherë një ndarje ishte e domosdoshme. Drita dhe errësira nuk kanë shoqërim bashkë; Perëndia i ka ndarë, le të mos i përziejmë. Bijtë e dritës nuk duhet të kenë shoqërim me veprat, doktrinat ose mashtrimet e errësirës. Fëmijët e ditës duhet të jenë esëll, të ndershëm dhe guximtar në veprën e Zotit të tyre, duke ia lënë veprat e errësirës atyre që do të banojnë në të përherë. Kishat tona duhet të ndajnë me disiplinë dritën prej errësirës dhe ne vetë me anë të ndarjes sonë veçan prej botës duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Në gjykim, veprim, dëgjim, mësim, bashkim duhet të dallojmë midis të çmueshmes dhe të fëlliqurës dhe të ruajmë ndarjen e madhe që Zoti kreu në ditën e parë të botës. O Zoti Jezus, ji drita jonë përgjatë gjithë kësaj dite, sepse drita jote është drita e njerëzve.
5 janar-mbrëmje
“Dhe Perëndia pa dritën.”
{Zanafilla 1 :4}
Këtë mëngjes ne vërejtëm të mirën e dritës dhe Zotin duke e ndarë atë prej errësirës, ndërsa tani vërejmë vëmendjen e veçantë që Zoti pati për dritën. “Perëndia pa dritën”—Ai e pa atë me dashamirësi, e vështroi me kënaqësi, e pa se “ishte e mirë.” Nëse Zoti të ka dhënë dritë lexues i dashur, Ai shikon mbi atë dritë me një interes të veçantë, sepse jo vetëm që është e shtrenjtë për Të si vetë vepra e duarve të Tij, por sepse është si Ai vetë, sepse “Ai është dritë.” Është e kënaqshme për besimtarin të dijë se syri i Perëndisë vështron kështu me butësi atë vepër të hirit që Ai ka filluar. Ai kurrë nuk e humbet prej shikimit atë thesar që ka vendosur në enët tona tokësore. Ndonjëherë ne nuk mund ta shikojmë dritën, por Perëndia përherë e shikon dritën dhe kjo është shumë më mirë se sa kur ne e shikojmë atë. Më mirë për gjykatësin të dallojë pafajshmërinë time se sa për mua të mendoj se edhe unë e dalloj.
Është shumë ngushëlluese për mua të di se i përkas popullit të Perëndisë—por e di këtë apo jo, nëse Zoti e di, jam i sigurtë. Ky është themeli, “Zoti i njeh të vetët.” Ti mund të jesh duke psherëtirë dhe gulçuar prej mëkatit të brendshëm dhe duke vajtuar për errësirën tënde, prapëseprapë Zoti shikon “dritë” në zemrën tënde, sepse Ai e ka vënë atë aty dhe e gjithë mjegulla dhe mugu i shpirtit tënd nuk mund ta fshehë dritën tënde prej syrit të Tij të hirshëm. Ti mund të jesh zhytur poshtë në zemërlëshim dhe madje në dëshpërim, por nëse shpirti yt dëshiron ndopak Krishtin dhe nëse po kërkon të prehesh në veprën e Tij të përfunduar, Perëndia shikon “dritën.” Ai jo vetëm që e shikon, por gjithashtu e ruan brenda teje. “Unë, Zoti e ruaj.” Ky është një mendim i çmuar për ata që, pasi plot merak janë ruajtur dhe kanë qenë vigjilent, ndjejnë pafuqishmërinë e tyre për ta bërë këtë gjë. Këtë dritë të ruajtur kështu prej hirit të Tij, një ditë Ai do ta rrisë deri në shkëlqimin e mesditës dhe në plotësinë e lavdisë. Drita përbrenda është agimi i jetës së përjetshme.
6 janar-mëngjes
“Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse Ai merakoset për ju.”
{1 Pjetri 5 :7}
Pikëllimi lehtësohet në mënyrë të përshtatshme kur ndjejmë—”Ai merakoset për mua.” I krishterë! mos e çndero besimin duke pasur një çehre të merakosur; eja, hidh barrën tënde mbi Zotin tënd. Po luhatesh nën një barrë që Ati yt as që nuk do ta ndjente. Ajo që të duket një barrë shtypëse, do të ishte për Të si pluhur mbi peshore. Asgjë nuk është aq e ëmbël sa të varesh plotësisht në duart e Perëndisë dhe të mos njohësh vullnet përveçse vullnetin e Tij.
O fëmijë i vuajtjes, ji i duruar; Perëndia nuk të braktis në providencën e Tij. Ai që është ushqyesi i harabelave do të të furnizojë gjithashtu me atë çfarë ke nevojë. Mos u ul në dëshpërim; vazhdo të shpresosh, shpreso përherë. Merr krahët e besimit ndaj një deti trazirash dhe vendosmëria jote do t’i japë fund trishtimeve të tua. Është Dikush që përkujdeset për ty. Syri i Tij është i fiksuar mbi ty, zemra e Tij rreh me mëshirë për dhembjen tënde dhe dora e Tij e plotfuqishme do të të sjellë akoma ndihmën e nevojshme. Reja më e errët do të shpërndahet në shira mëshire. Mugu më i zi do t’i lërë vendin agimit. Ai, nëse i përket familjes së Tij, do të lidhë plagët e tua dhe do të shërojë zemrën tënde të thyer. Mos vër në dyshim hirin e Tij për shkak të sprovave të tua, por beso se Ai të do po aq në periudha trazire sa në kohërat e lumturisë. Çfarë jetë të qetë dhe të patrazuar do të kishe nëse do t’ia lije providencën Perëndisë të providencës! Me pak vaj në një poçe prej balte dhe me pak mish Elia i mbijetoi zisë së bukës dhe ti do të bësh të njëjtën gjë. Nëse Perëndia merakoset për ty, përse vallë merakosesh? A mund t’i besosh Atij për shpirtin tënd dhe jo për trupin tënd? Ai nuk ka refuzuar kurrë të mbajë barrët e tua, Ai nuk është rënduar kurrë nën peshën tënde. Eja, atëherë o besimtar! jepi fund ankthit plot merak dhe lëri të gjitha shqetësimet e tua te Perëndia i hirshëm.
6 janar-mbrëmje
“Një mbrëmje dora e Zotit u vu mbi mua.”
{Ezekiel 33 :22}
Kjo gjë mund të ndodhë në rrugën e gjykimit dhe nëse ndodh ashtu, le të marrim në konsideratë arsyen e një vizite të tillë, të durojmë fshikullin dhe Atë që e ka caktuar. Nuk jam i vetmi që korrigjohem në kohë mbrëmje; le t’i nënshtrohem me gëzim dhembjes dhe me kujdes të përpiqem të përfitoj nga kjo gjë. Por dora e Zotit mund të ndjehet në një mënyrë tjetër, duke forcuar shpirtin dhe duke e ngritur frymën lart drejt gjërave të përjetshme. Oh e ndjefsha në këtë mënyrë Zotin që vepron me mua! Një ndijim pranie dhe banimi hyjnor e shpie shpirtin drejt qiellit si mbi krahët e shqiponjës. Në kohëra të tilla ne jemi përplot me gëzim shpirtëror dhe harrojmë hallet dhe trishtimet e tokës; e padukshmja është afër dhe e dukshmja humbet fuqinë e saj kundrejt nesh; trupi i dobët pret në rrëzën e kodrës, por fryma udhëheqëse adhuron lart mbi majë në praninë e Zotit. Oh paça këtë mbrëmje një periudhë shoqërimi hyjnor të shenjtë!
Zoti e di se kam tejet nevojë për të. Hiret e mia lëngojnë, korruptimet e mia tërbohen, besimi im është i dobët, përkushtimi im është i ftohtë; të gjitha këto janë arsye pse dora e Tij shëruese duhet vënë mbi mua. Dora e Tij mund të ulë temperaturën e ballit tim të nxehtë dhe të ndalojë trazirën e zemrës sime fërgëlluese. Ajo dorë e djathtë e lavdishme që krijoi botën mund të formojë të re mendjen time; dora e palodhur që mban lart shtyllat gjigante mund të mbështesë frymën time; dora e dashur që rrethon të gjithë shenjtorët mund të më gëzojë; dhe dora e fuqishme që bën copë copë armikun mund të nënshtrojë mëkatet e mia. Pse nuk duhet të ndjej atë dorë duke më prekur këtë mbrëmje? Eja, shpirti im, drejtohu Perëndisë me përgjërimin e fuqishëm se duart e Jezusit u tejshpuan për shpëtimin tënd dhe me siguri do të ndjesh të njëjtën dorë mbi ty që një herë preku Danielin dhe e ngriti më këmbë që të mund të shikonte vizione të Perëndisë.
7 janar-mëngjes
“Sepse për mua të jetuarit është Krishti.”
{Filipianët 1:21}
Besimtari nuk ka jetuar përherë për Krishtin. Ai filloi të bëjë kështu kur Perëndia Fryma e Shenjtë e bindi për mëkat dhe kur me anë të hirit ai u soll të shikojë Shpëtimtarin në kryq duke bërë blatimin për fajin. Prej çastit së lindjes qiellore dhe të re njeriu fillon të jetojë për Krishtin. Jezusi është për besimtarët ajo perla e madhe e çmueshme, për të cilën ne duam të heqim dorë prej gjithçkaje që kemi. Ai ka fituar kaq tërësisht dashurinë tonë, sa zemra jonë rreh vetëm për Të; ne duhet të jetojmë për lavdinë e Tij dhe në mbrojtjen e ungjillit të Tij ne duhet të vdesim; Ai është modeli i jetës sonë dhe modeli sipas të cilit ne duhet të gdhendim karakterin tonë.
Fjalët e Palit kanë një domethënie më të madhe se sa shumë njerëz mendojnë; ato nënkuptojnë se qëllimi dhe fundi i jetës së tij ishte Krishti—jo, madje vetë jeta e tij ishte Jezusi. Sipas fjalëve të një shenjtori të vjetër, ai hëngri, piu dhe flejti jetën e përjetshme. Jezusi ishte fryma e tij, shpirti i shpirtit të tij, zemra e zemrës së tij, jeta e jetës së tij. A mund të thuash, meqenëse pretendon se je i krishterë se jeton në këtë mënyrë? A mund të thuash me ndershmëri se për ty të jetosh është Krishti? Punën tënde, a po e bën për Krishtin? A nuk po bëhet për vetë-bollëk dhe për të mira familjare? A po pyet vallë, “A është gjë e ulët kjo?” Për të krishterin ashtu është. Ai shpall se jeton për Krishtin; si mund të jetojë ai për një tjetër pa kryer tradhëti shpirtërore? Ka shumë nga ata që e zbatojnë këtë parim në një farë mase, por kush është ai që guxon të thotë se ka jetuar tërësisht për Krishtin ashtu si apostulli bëri? Prapëseprapë kjo vetëm është jeta e vërtetë e një të krishteri, burimi i tij, mbështetja e tij, modeli i tij, synimi i tij, të gjitha të përmbledhura në një fjalë—Krishti Jezus. Zot, më prano; këtu paraqes veten duke u lutur për të jetuar vetëm në Ty dhe për Ty. Le të jem si mëzati që qëndron midis parmendës dhe altarit, për të punuar ose për t’u flijuar; dhe motoja ime le të jetë, “Gati për njërën ose tjetrën.”
7 janar-mbrëmje
“Motra ime, nusja ime.”
{Kantiku i kantikëve 4:12}
Vëre titujt e ëmbël me të cilët Solomoni qiellor me një dashuri të fortë i drejtohet nuses së Tij Kishës. “Motra ime, e afërt me mua prej lidhjeve të natyrës, pjesëmarrëse në të njëjtat ngushëllime. Nusja ime, më e afërta dhe më e shtrenjta, e bashkuar me mua prej lidhjeve më të buta të dashurisë; shoqja ime e ëmbël, pjesë e Imja. Motra ime, prej Mishërimit tim, që më bëri kocka e kockës tënde dhe mishi i mishit tënd; nusja ime, prej fejesës qiellore me të cilën të mora për nuse me anë të drejtësisë. Motra ime, që të kam njohur që në fillim dhe për të cilën jam përkujdesur që në fëmijërinë e saj më të hershme; nusja ime, e marrë mes bijave, e përqafuar prej krahësh dashurie dhe e fejuar me mua përjetë. Shiko sa e vërtetë është se Dhëndri ynë mbretëror nuk ka turp prej nesh, sepse Ai mbështetet me një kënaqësi të dukshme mbi këtë marrëdhënie dypalëshe.
Ne e kemi fjalën “ime” dy herë; që tregon se Krishti banon me kënaqësi të pashprehshme në mesin e Kishës së Tij. “Gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve,” sepse ato bij njerëzish ishin të zgjedhurit e Tij. Ai, Bariu, kërkoi delet, sepse ato ishin delet e Tij; Ai shkoi “për të kërkuar dhe për të shpëtuar atë që kishte humbur,” sepse ajo që ishte e humbur ishte e Tija shumë më përpara se sa të kishte humbur ose t’i kishte humbur. Kisha është pjesa e posaçme e Zotit të saj; askush tjetër nuk mund të kërkojë një pjesë, ose të pretendojë të ketë pjesë në dashurinë e saj. Jezus, kisha jote kënaqet me këtë gjë! Çdo shpirt besimtar le të pijë ngushëllim prej këtyre burimeve. Shpirt! Krishti është afër me ty me lidhje bashkimi; Krishti është i shtrenjtë për ty me anë të lidhjeve të bashkimit të martesës dhe ti i je i shtrenjtë; shiko, Ai shtrëngon të dy duart e tua me të dyja duart e Tij, duke thënë, “Motra ime, nusja ime.” Vëre dy kapëset e shenjta me anë të cilave Zoti yt të shtrëngon aq sa nuk mund e as nuk do të të lërë të shkosh. Mos ji, o i dashur, i ngadaltë për t’ju përgjigjur flakës së shenjtë të dashurisë së Tij.
8 janar-mëngjes
“Fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta.”
{Eksodi 28 :38}
Çfarë veli që hiqet prej këtyre fjalëve dhe çfarë zbulimi që bëhet! Do të ishte përulëse dhe e dobishme për ne të pushonim pak dhe të shikonim këtë pamje të trishtueshme. Fajet e adhurimit tonë publik, dyfytyrësia, formaliteti, plogështia, çnderimi, zemërhallakatja në këtë adhurim dhe harresë e Perëndisë, sa gjëra plot nga këto që kemi ne këtu! Vepra jonë për Zotin, rivaliteti, egoizmi, pakujdesia, amullia, mosbesimi që gjendet aty, çfarë mase fëlliqësie që kemi këtu! Përkushtimet tona të fshehta, lëshimi, ftohtësia, lënia pas dore, gjumësia dhe kotësia e tyre, çfarë toke djerrë që ka këtu! Nëse do të shikonim më me kujdes, ky faj do të na dukej tepër më i madh se sa duket në pamje të parë.
Dr.Pajson, duke i shkruar të vëllait, thotë, “Famullia ime po ashtu si dhe zemra ime i ngjajnë shumë kopshtit të një përtaci; dhe akoma më keq, më duket se shumë prej dëshirave të mia për përmirësimin e të dyjave lindin ose prej krenarisë, ose prej kotësisë ose prej plogështisë. Shikoj barin e keq që ka mbuluar kopshtin tim dhe shpreh një dëshirë të madhe që të shkulen. Por pse? Çfarë e nxit vallë këtë dëshirë? Mund të ndodhë që të eci dhe t’i them vetes, “O shiko se sa mirë është i ruajtur kopshti im!” Kjo është krenari. Ose, mund të jetë që fqinjët e mi të mund të shikojnë mbi mur dhe të thonë, “Sa bukur lulëzon kopshti yt!” Kjo është kotësi. Ose mund të dëshiroj për shkatërrimin e farave, sepse jam i lodhur së shkuluri. Kjo është plogështi.” Kështu që edhe dëshirat tona për shenjtëri mund të ndoten prej motivesh të sëmura. Poshtë lëndinës më të gjelbër fshihen krimba; nuk kemi nevojë të kërkojmë gjatë për t’i zbuluar ato. Sa gëzimprurës është mendimi, se kur kryeprifti mbajti fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta ai vuri mbi ballin e tij fjalët, “Shenjtërim Zotit” dhe po ashtu ndërsa Jezusi mban mëkatin tonë, Ai paraqit para fytyrës së Atit jo papërkryerjen tonë, por vetë shenjtërinë e Tij. O Zot na jep hir që të shikojmë Kryepriftin tonë me syrin e besimit!
8 janar-mbrëmje
“Dashuria jote është më e mirë se vera.”
{Kantiku i kantikëve 1 :2}
Asgjë nuk i jep besimtarit aq shumë gëzim sa shoqërimi me Krishtin. Ai ndjen gëzim si të tjerët në mëshirat e zakonshme të jetës, ai gëzohet si në dhuratat e Perëndisë po ashtu si dhe në veprat e Tij, por në të gjitha këto veç e veç, madje dhe në të gjitha këto të mbledhura bashkë, ai nuk ndjen aq kënaqësi thelbësore sa në personin e pashoq të Zotit të tij Jezus. Ai ka një verë që asnjë vresht në tokë nuk ka prodhuar ndonjëherë; Ai ka bukë që të gjitha arat me grurë të Egjiptit nuk mund ta jepnin kurrë. Ku mund të gjendet vallë një ëmbëlsi e tillë ashtu siç e kemi shijuar në shoqërim me të Shumëdashurin tonë?
Në vlerësimin tonë, gëzimet e tokës janë pak më mirë se lëvore për derrat të krahasuara me Jezusin, mana qiellore. Ne do të donim më mirë një kafshatë të dashurisë së Krishtit dhe një gllënjkë të shoqërimit të Tij se sa një botë të tërë plot me kënaqësi mishore. Çfarë është byku në krahasim me miellin? Çfarë është perla shkëlqimrreme në krahasim me diamantin e vërtetë? Çfarë është një ëndërr në krahasim me një realitet të lavdishëm? Çfarë është hareja më e madhe, e krahasuar me Zotin tonë Jezus në gjendjen e tij më të përçmueshme? Nëse dini ndonjë gjë në lidhje me jetën e brendshme, do të rrëfeni se gëzimet tona më të qëndrueshme, më të pastra dhe më të larta duhet të jenë fryti i pemës së jetës që është në mes të Parajsës së Perëndisë. Asnjë burim nuk lëshon një ujë të tillë të ëmbël si ai burim i Perëndisë që u gërmua me heshtën e ushtarit. Çdo lumni e botës është e botës dhe tokësore, por ngushëllimet e pranisë së Krishtit janë si Ai vetë, hyjnore.
Ne mund të rishqyrtojmë shoqërimin tonë me Jezusin dhe nuk do të gjejmë keqardhje zbrazëtie aty brenda; nuk ka fundërri në këtë verë, nuk ka insekte të ngordhura në këtë vajosje. Gëzimi i Zotit është i fortë dhe i qëndrueshëm. Kotësia nuk e ka parë, por maturia dhe kujdesi dëshmojnë se i qëndron sprovës së viteve dhe është i denjë në kohë dhe në përjetësi për t’u quajtur “e vetmja kënaqësi e vërtetë.” Për ushqim, ngushëllim, hare dhe freski asnjë verë nuk mund të matet me dashurinë e Jezusit. Le ta pijmë deri në fund këtë mbrëmje.
9 janar-mëngjes
“Unë do të jem Zoti i tyre.”
{Jeremia 31:33}
I krishterë! këtu ka gjithçka që mund të kërkosh. Për të të bërë të lumtur ti ke nevojë për diçka që të të kënaqë; dhe a nuk është kjo e mjaftueshme për ty? Nëse mund të derdhësh këtë premtim në kupë, a nuk do të thuash vallë me Davidin, “Kupa ime po derdhet; kam më tepër se ç’mund të dëshirojë zemra?” Kur kjo është e përmbushur, “Jam Perëndia yt,” a nuk je vallë zotëruesi i të gjitha gjërave? Dëshira është e pangopur si vdekja, por Ai që mbush gjithçka në gjithçka mund ta mbushë atë. Kush mund të masë vallë nxënësinë e dëshirave tona? mirëpo pasuria e pamasë e Perëndisë e mbush plot e përplot. Po të pyes nëse nuk je i mbushur kur Perëndia është yti? A do gjë tjetër përveçse Perëndisë? A nuk është plotmjaftueshmëria e Tij e mjaftueshme për të të kënaqur kur çdo gjë tjetër do të dështonte? Mirëpo ti do më shumë se kënaqësi të paqme; ti dëshiron ëndje rrëmbyese.
Eja, shpirt, këtu ka muzikë të përshtatshme për qiellin, që është risku yt, sepse Perëndia është Krijuesi i Qiellit. E gjithë muzika e luajtur prej instrumenteve të ëmbël ose e nxjerrë prej harpave, nuk mund të lëshojë një melodi të tillë sa ky premtim i ëmbël, “Do të jem Zoti i tyre.” ka një det të thellë lumnie, një oqean të pafund kënaqësie; eja, kridhe shpirtin tënd në të; noto për pak kohë dhe nuk do të gjesh breg; zhytu mes përjetësisë dhe nuk do të gjesh fund. “Unë do të jem Zoti i tyre.” Nëse kjo nuk t’i bën sytë të ndriçojnë dhe zemrën tënde të rrahë fort me gëzim, atëherë me siguri që shpirti jot nuk është në një gjendje të shëndetshme. Por ti do më shumë se kënaqësi të tanishme—ti dëshiron me zjarr diçka në lidhje me të cilën ti mund të kesh shpresë; dhe për çfarë mund të shpresosh më shumë se sa për përmbushjen e këtij premtimi, “Unë do të jem Zoti i tyre?” Ky është kryepremtimi; ta gëzosh atë bën një qiell këtu poshtë dhe qiellin lart. Qëndro në dritën e Zotit tënd dhe shpirti yt u rrëmbeftë përherë me dashurinë e Tij. Merr palcën dhe dhjamin që kjo pjesë të jep. Jeto sipas privilegjeve të tua dhe gëzohu me gaz të pashprehshëm.
9 janar-mbrëmje
“I shërbeni Zotit me gaz.”
{Psalmi 100:2}
Ëndja në shërbimin hyjnor është një tregues pranimi. Ata që i shërbejnë Perëndisë me një çehre të trishtë ngaqë bëjnë çfarë i duket e pakëndshme, nuk i shërbejnë Atij aspak; ata kanë në dukje një formë nderimi, por jeta mungon. Perëndia ynë nuk kërkon skllevër për të zbukuruar fronin e Tij; Ai është Zoti i perandorisë së dashurisë dhe i do shërbëtorët e Tij që të jenë të veshur me rroba gëzimi. Engjëjt e Perëndisë i shërbejnë Atij me këngë, jo me psherëtima; një murmurimë ose një psherëtimë do të ishte një rebelim në radhët e tyre. Ajo bindje që nuk është e vullnetshme është mosbindje, sepse Zoti shikon në zemër dhe nëse shikon se i shërbejmë Atij prej detyrimit dhe jo sepse e duam Atë, atëherë Ai do të hedhë poshtë flijimin tonë. Shërbimi i shoqëruar me gaz është shërbim me zemër dhe si rrjedhim i vërtetë.
Hiq vullnetshmërinë e hareshme prej të krishterit dhe i keni dhënë fund provës së sinqeritetit të tij. Nëse një njeri shtrëngohet për të shkuar në betejë, nuk është një atdhetar, por ai që çan përpara me sy të shkëlqyeshëm dhe fytyrë rrezëlluese duke kënduar, “Është e ëmbël të vdesësh për atdheun,” dëshmon se është i sinqertë në atdhetarinë e tij. Gëzimi është mbështetja e forcës sonë; në gëzimin e Zotit ne jemi të fortë. Ai vepron si heqësi i vështirësive. Është për shërbimin tonë çfarë është vaji për rrotat. Pa vaj boshti nxehet tepër dhe ndodh aksidenti; dhe nëse nuk ka një hare të shenjtë për të vajosur rrotat tona atëherë frymët tona do të rëndohen me lodhje. Njeriu që është i gëzuar në shërbimin e tij për Perëndinë, provon se bindja është mjedisi ku jeton; ai mund të këndojë
Më bëj që të eci në urdhërimet e tua, është një rrugë e këndshme.
Lexues, le të ngremë këtë pyetje— a i shërben Zotit me gaz? Le t’i tregojmë njerëzve të botës që mendojnë se besimi ynë është skllavëri se është përkundrazi ëndja dhe gëzimi ynë! Gazi ynë le të shpallë se i shërbejmë një Mjeshtri të mirë.
10 janar-mëngjes
“Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë.”
{2 Timoteut 4 :8}
Ti që dyshon! ke thënë shpesh, “druaj se nuk do të hyj kurrë në parajsë.” Mos ki frikë! të gjithë njerëzit e Perëndisë do të hyjnë atje. E dua shumë thënien e vjetër të një njeriu në prag të vdekjes, që u shpreh, “nuk kam frikë të shkoj në shtëpi; i kam dërguar të gjithë përpara meje; gishti i Perëndisë është në rézen e derës sime dhe për Të jam gati të hyj brenda.” Por, thotë dikush, “a nuk ke frikë se mos humb trashëgiminë tënde?” “Jo,” thotë ai, “jo; ka një kurorë në qiell që engjëlli Gabriel nuk mund ta mbajë, nuk do t’i përshtatej asnjë koke përveç simes. Ka një fron në parajsë që Pali apostulli nuk mund të zërë; është bërë për mua dhe do ta kem atë.” O i krishterë, çfarë mendimi i gëzueshëm! risku jot është i sigurtë; “mbetet pra një pushim” “Por a mund ta humb vallë?” Jo, është e trashëguar pa të drejtë tjetërsimi. Nëse jam një fëmijë i Perëndisë nuk mund ta humbas dot. Është e imja po aq me siguri sa sikur të isha atje.
Eja me mua besimtar dhe le të ulemi në majën e Nebos dhe të shikojmë tokën e mirë, Kananin. A e shikon atë lumë të vogël të vdekjes duke shkëlqyer nën dritën e diellit dhe përtej tij a i shikon majat e qytetit të përjetshëm? A e vë re vendin e këndshëm dhe të gjithë banorët e tij të gëzueshëm? Ta dish atëherë, se sikur të mundje ta kaloje në fluturim, do të shikoje të shkruajtur mbi një prej banesave të shumta të tij, “kjo banesë mbetet për një të tillë; ruhet vetëm për të. Ai do të rrëmbehet lart për të banuar përjetë me Perëndinë.” Dyshues i gjorë, shiko trashëgiminë e hirshme; është e jotja. Nëse beson në Zotin Jezus, nëse je penduar për mëkatin, nëse je ripërtëritur në zemër, i përket popullit të Zotit dhe ka një vend të ruajtur për ty, një kurorë për ty, një harpë e bërë gati veçanërisht për ty. Asnjë tjetër nuk do të ketë riskun tënd, është i rezervuar për ty dhe do ta kesh pas pak, sepse nuk do të ketë fronë të zbrazur në lavdi kur të gjithë të zgjedhurit do të mblidhen bashkë.
10 janar-mbrëmje
“Në mishin tim do të shoh Perëndinë.”
{Jobi 19:26}
Vëre temën e paraprirjes së përshpirtshme të Jobit “do të shoh Perëndinë.” Ai nuk thotë, “do të shikoj shenjtorët”—edhe pse pa dyshim që kjo gjë do të jetë një lumturi e pashoqe—por, “do të shoh Perëndinë.” Nuk thuhet—”do të shoh portat prej perlash, do të vështroj muret prej gasperi, do të sodis kurorat prej ari,” por “do të shoh Perëndinë.” Kjo është përmbledhja dhe thelbi i parajsës, kjo është shpresa e gëzueshme e besimtarëve. Është kënaqësia e tyre ta shikojnë atë tani në urdhëresa me anë të besimit. Ata duan shumë ta shikojnë Atë në shoqërim dhe lutje, por atje në parajsë do të ketë një pamje të qartë dhe të hapur dhe prandaj “duke e parë Atë ashtu siç është,” do të bëhen tërësisht si Ai.
Ngjashmëria me Perëndinë—për çfarë mund të dëshirojmë më shumë? Dhe një shikim të Perëndisë— çfarë mund të dëshirojmë më mirë? Disa e lexojnë fragmentin, “Prapëseprapë, në mishin tim do të shoh Perëndinë,” dhe gjejnë këtu një aluzion në lidhje me Krishtin, si “Fjala e bërë mish,” dhe atë shikim të lavdishëm të Tij që do të jetë shkëlqimi i ditëve të fundit. Nëse është kështu apo jo, është e sigurtë se Krishti do të jetë qendra e pamjes sonë të përjetshme; po ashtu, nuk do të duam ndonjë gëzim tjetër përveç të shikojmë Atë. Mos mendo se kjo do të jetë një sferë e ngushtë për mendjen ku të qëndrojë. Është një burim ëndjeje, por ky burim është i pashtershëm. Të gjitha atributet e Tij do të jenë subjekte soditjeje dhe përderisa Ai është i pafund në çdo pikëpamje, nuk kemi pse druajmë shterimin. Veprat e Tij, dhuratat e Tij, dashuria e Tij ndaj nesh dhe lavdia e Tij në gjithë qëllimet e Tij dhe në gjithë veprimet e Tij, do të jenë një temë që do të jetë përherë e re. Patriarku e priste me padurim këtë pamje të Perëndisë si një gëzim personal. “Sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër.” Hidh vështrime kuptimplota mbi lumninë e parajsës; mendo se çfarë do të jetë për ty. “Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit Tënd.” Çdo dritë tokësore zbehet dhe errësohet teksa vështrojmë te Ai, por këtu ka një shkëlqim që nuk do të meket kurrë, një lavdi që nuk do të venitet kurrë, “do të shoh Perëndinë.”
11 janar-mëngjes
“Ata nuk kanë rrënjë.”
{Lluka 8 :13}
Shpirti im, ekzamino veten tënde këtë mëngjes nën dritën e këtij teksti. Ke marrë fjalën me gëzim; ndjenjat e tua janë prekur dhe ke pasur një përshtypje të gjallë, por, kujto, se të marrësh fjalën në vesh është një gjë dhe të marrësh Jezusin në vetë shpirtin tënd është tërësisht një tjetër gjë; ndjenja sipërfaqësore është shpesh e lidhur me ngurtësinë e brendshme të zemrës, dhe një përshtypje e gjallë e fjalës nuk zgjat përherë. Në parabolën, fara në një rast ra mbi tokën me shkëmbinj, e mbuluar me një shtresë të hollë dheu; kur fara filloi të zërë rrënjë, rritja e saj për poshtë u pengua prej gurit të fortë dhe prandaj shpenzoi fuqinë e saj në lëshimin e filizave lart sa të mundte, por duke mos pasur lagështirë të brendshme marrë prej ushqimit të rrënjës, u tha. A është ky rasti im? A kam bërë një shfaqje të bukur në sytë e të tjerëve pa pasur një jetë të brendshme që i përgjigjet në të njëjtin nivel? Rritja e mirë zë vend lart dhe poshtë në të njëjtën kohë. A jam i rrënjosur në besnikëri dhe dashuri të sinqertë për Jezusin?
Nëse zemra ime mbetet e pazbutur dhe e paushqyer prej hirit, fara e mirë mund të nxjerrë filiza për një farë periudhe, por përfundimisht do të vyshket, sepse nuk mund të lulëzojë mbi një zemër të pashenjtëruar, të pathyer dhe shkëmbore. Le të druaj një perëndishmëri po aq të shpejtë në rritje dhe po aq pa qëndrueshmëri sa bima e Jonas; le të konsideroj se çfarë çmimi ka të jesh një ndjekës i Jezusit, mbi të gjitha le të ndjej energjinë e Frymës së Shenjtë dhe atëherë do të zotëroj një farë të qëndrueshme dhe ndenjëse në shpirtin tim. Nëse mendja ime mbetet po aq kokëfortë sa ishte prej natyre, dielli i sprovës do ta përzhitë, zemra ime e ngurtë do të ndihmojë të hedhë më keq të nxehtin mbi farën e sëmurë, besimi im së shpejti do të vdesë dhe dëshpërimi im do të jetë i tmerrshëm; prandaj, o Mbjellës qiellor, më plugo së pari, dhe më pas hidh të vërtetën në mua dhe më lër të prodhoj për Ty një korrje të bollshme.
11 janar-mbrëmje
“Por Unë jam lutur për ty.”
{Lluka 22 :32}
Sa zemërdhënës është mendimi i një Shpëtimtari që nuk pushon kurrë të ndërmjetësojë për ne. Kur ne lutemi, Ai ndërhyn për ne; dhe kur nuk jemi duke u lutur, Ai është duke marrë në mbrojtje rastin tonë, dhe me anë të përgjërimeve na mbron prej rreziqeve të padukshëm. Vëre fjalën e ngushëllimit drejtuar Pjetrit—”Simon, Simon, ja, satani ka kërkuar t`ju shoshë ashtu siç shoshet gruri, por —çfarë? “Shko dhe lutu.” Kjo do të ishte një këshillë e mirë, por nuk është shkruar kështu. Po ashtu Ai nuk thotë, “Por do të të mbaj zgjuar dhe kështu do të ruhesh.” Ky do të ishte një bekim i madh. Jo, është shkruar, “Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket.” Ne dimë pak se çfarë i detyrohemi lutjeve të Shpëtimtarit tonë.
Kur arrijmë majat e kodrave të qiellit dhe shikojmë mbrapa udhën në të cilën Zoti Perëndia ynë na ka udhëhequr, sa shumë duhet ta lavdërojmë Atë, që përpara fronit të përjetshëm, zhbëri dëmin që satani po bënte mbi tokë. Sa duhet që ta falënderojmë sepse kurrë nuk pushoi, por ditë e natë tregoi plagët në duart e Tij dhe mbajti emrat tanë mbi parzmoren e Tij! Edhe përpara se satani pati filluar të tundonte, Jezusi e parandaloi dhe na mori në mbrojtje në qiell. Mëshira ia kalon ligësisë. Vëre, Ai nuk thotë, “satani ju ka shoshitur, dhe prandaj do të lutem,” por “satani ka kërkuar t’ju shoshë.” Ai e mbikëqyr satanin deri në synimet e tij të zemrës, dhe e mbyt që në vezë. Ai nuk thotë, “Por kam dëshiruar të lutem për ty.” Jo, por “jam lutur për ty; e kam bërë tashmë; kam shkuar në gjykatë dhe bëra një mbrojtje përpara se të ngrihej akuza.” O Jezus, çfarë ngushëllimi që ke mbrojtur çështjen tonë kundra armiqve tanë të padukshëm; ke çaktivizuar minat e tyre dhe i ke grisur maskat kurtheve të tyre. Këtu ka subjekt për gëzim, mirënjohje, shpresë dhe mirëbesim.
12 janar-mëngjes
“Ju jeni të Krishtit.”
{1 Korintasve 3 :23}
“Ju jeni të Krishtit.” Ju jeni të tijët prej dhuratës, sepse Ati ju dha juve Birit; të tijët prej blerjes me gjak, sepse Ai llogariti çmimin për shpengimin tuaj; të tijët prej përkushtimit, sepse ia keni përkushtuar veten Atij; të tijët prej lidhjes me Të, sepse quheni me emrin e Tij dhe jeni bërë vëllezërit e Tij dhe bashkëtrashëgimtarë. Puno praktikisht për t’i treguar botës se je shërbëtori, miku, nusja e Jezusit. Kur je i tunduar prej mëkatit, përgjigju, “Nuk mund ta bëj këtë të ligë të madhe, sepse jam i Krishtit.” Parimet e përjetshme e ndalojnë mikun e Krishtit të mëkatojë. Kur pasuria është përpara teje për t’u fituar me anë të mëkatit, thuaj se i përket Krishtit dhe mos e prek.
A jeni përpara vështirësive dhe rreziqeve? Qëndroni të palëkundur në ditën e keqe, duke u kujtuar se jeni të Krishtit. A jeni atje ku të tjerët po ulen me përtaci, duke mos bërë asgjë? Ngrihu të punosh me gjithë fuqitë e tua; dhe kur djersa del mbi ballë dhe je i tunduar të vrasësh kohën, klith, “Jo, nuk mund të pushoj, sepse jam i Krishtit. Nëse nuk do të isha i blerë me gjak, do të isha si Isakari, i shtrirë nëpër vathë, por jam i Krishtit dhe kështu që nuk mund të humb kohën kot.” Kur kënga e kënaqësisë e sirenës do të të tundonte për t’u larguar prej udhës së drejtë, përgjigju, “Muzika jote nuk mund të më joshë; jam i Krishtit.” Kur kauza e Perëndisë ta kërkon, jep të mirat e tua dhe veten tënde, sepse je i Krishtit. Mos e tradhto kurrë rrëfimin e besimit tënd. Ji përherë një prej atyre me qëndrim të krishterë, që fjalimi është si Nazareasi, që sjellja dhe fjalët bien kaq shumë erë qielli, sa të gjithë që të shikojnë të mund të dinë se i përket Shpëtimtarit, duke njohur te ty tiparet e Tij dalluese të dashurisë dhe pamjen e Tij të shenjtë. “Jam Romak!” në kohërat e vjetra ishte një arsye për integritet; aq më tepër, atëherë, le të jetë argumenti juaj për shenjtëri, “Jam i Krishtit!”
12 janar-mbrëmje
“Ka ende gjëra për të thënë nga ana e Perëndisë.”
{Jobi 36:2}
Ne nuk duhet të kërkojmë bujë për virtytin tonë, ose famë për zellin tonë, por, në të njëjtën kohë, është një mëkat të kërkosh gjithmonë të fshehësh atë që Perëndia na ka dhënë për të mirën e të tjerëve. Një i krishterë nuk duhet të jetë një fshat në një lëndinë, por “një qytet i ngritur në majë të malit;” nuk duhet të jetë një kandil nën babunë, por i vënë në shandan që t’u bëjë dritë të gjithëve. Tërheqja mund të jetë e këndshme në periudhën e saj dhe të kesh një kohë veçan është padyshim diçka e mirë, por të fshehësh Krishtin nuk mund të justifikohet kurrë dhe përmbajtja e së vërtetës që na është e çmueshme është një mëkat ndaj të tjerëve dhe një fyerje kundrejt Perëndisë. Nëse je i një karakteri nervoz dhe ke prirjen të rrish larg njerëzve, ki kujdes që të mos ta lejosh shumë këtë prirje, sepse rrezikon të jesh i padobishëm për Kishën. Kërko në emrin e Atij që nuk i vinte turp për ty, t’i bësh dhunë ndjenjave të tua dhe t’u thuash të tjerëve çfarë Krishti të ka thënë.
Nëse nuk mund të flasësh me një gjuhë trumbetë, përdor zërin e paktë e të qetë. Nëse predikatorja nuk është tribuna jote, nëse shtypi nuk mund të mbajë në krahët e tij fjalët e tua, prapëseprapë thuaj me Pjetrin dhe Gjonin, “Nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap.” Në pusin e Siharit foli gruas samaritane, nëse nuk mund të predikosh mbi mal një predikim; shprehi lavditë e Jezusit në shtëpi, nëse jo në tempull; në arë, nëse jo në zyrë; në mes të vatrës tënde, nëse nuk mundesh dot në mes të familjes së madhe të njerëzve. Prej burimeve të fshehura përbrenda lër përrenj rrjedhës të lëshohen jashtë me ëmbëlsi, duke i dhënë për të pirë çdo kalimtari. Mos e fshih talentin tënd; bëj tregti me të dhe do t’ia sjellësh Zotit dhe Mjeshtrit tënd me interes të mirë. Të flasësh për Perëndinë do të jetë freskuese për vetë ne, e hareshme për shenjtorët, e dobishme për mëkatarët dhe nderues për Shpëtimtarin. Fëmijët memecë janë një shkak zemërdhembje për prindërit e tyre. Zot, zgjidh gjuhën e fëmijëve të Tu.
13 janar-mëngjes
“Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.”
{1 Mbretërve 22 :48}
Anijet e Solomonit u kthyen në siguri, por anijet e Jozafatit nuk arritën kurrë tokën e arit. Providenca i jep begatinë njërit dhe pengon dëshirat e tjetrit në të njëjtën punë dhe në të njëjtin vend, prapëseprapë Sunduesi i Madh është po aq i mirë dhe i urtë në një rast sa në tjetrin. Paçim hir sot, në kujtim të këtij teksti, për të bekuar Zotin për anijet e thyera në Etsion-Geber, po ashtu si dhe për anijet e ngarkuara me bekime të kësaj bote; le të mos kemi zili më të suksesshmin, as të murmurisim prej humbjeve tona sikur të ishim veçanërisht dhe tejet të sprovuar. Ashtu si Jozafati, ne mund të jemi të çmuar nën sytë e Zotit, edhe pse skemat tona përfundojnë në zhgënjim. Shkaku i fshehtë i humbjes së Jozafatit ia vlen të vërehet, sepse është rrënja e shumë vuajtjeve të njerëzve të Zotit; ishte lidhja e tij me një familje mëkatare, shoqërimi i tij me mëkatarët. Te 2 Kronika 20 :37, na thuhet se Zoti dërgoi një profet për të shpallur “Nga që je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkatërruar veprat e tua.”
Kjo ishte një ndreqje atërore, e cila duket se ishte fatlume për të, sepse në vargun që ndjek tekstin tonë të mëngjesit e gjejmë atë duke mos pranuar të lejojë shërbëtorët e tij të lundrojnë në të njëjtat anije me ato të mbretit të lig. Dashtë Perëndia që përjetimi i Jozafatit të jetë një paralajmërim për pjesën tjetër të popullit të Zotit, në mënyrë që të mos përfundojmë nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët! Një jetë mjerimi është zakonisht risku i atyre që janë të bashkuar në martesë, ose në çdo farë mënyre tjetër prej vetë zgjedhjes së tyre, me njerëzit e botës. Oh për hir të dashurisë së Jezusit, qofshim si Ai, të shenjtë, të padëmshëm, të pandotur dhe të ndarë prej mëkatarëve, sepse nëse nuk është kështu me ne, mund të presim të dëgjojmë shpesh të thuhet, “Zoti ka shkatërruar veprat e tua.”
13 janar-mbrëmje
“Nxori në sipërfaqe hekurin.”
{2 Mbretërve 6 :6}
Sëpata dukej e humbur përfundimisht dhe meqenëse ishte e marrë hua, nderi i profetëve mund të rrezikohej dhe kështu që emri i Perëndisë të tyre mund të përlyhej. Kundra çdo pritshmërie, hekuri u bë që të ngjitej prej thellësisë së rrymës dhe të dalë në sipërfaqe, sepse gjëra të pamundura për njeriun janë të mundura për Perëndinë. Kam njohur dikë në Krisht para ca vitesh që u thirr të ndërmerrte një punë që ia tejkalonte forcës së tij. Dukej kaq e vështirë sa nënkuptonte absurditet thjesht në vetë idenë e përpjekjes. Prapëseprapë ai u thirr për atë gjë dhe besimi i tij u rrit me këtë rast; Perëndia nderoi besimin e tij, ndihmë e papritur u dërgua dhe hekuri doli mbi sipërfaqe. Një tjetër i familjes së Zotit që i plotësonte të gjitha nevojat e tij dhe shumë më tepër, ra papritur në vështirësi të rënda financiare, kërkoi për miq më kot, por besimi e udhëhoqi te Ndihmësi i padështueshëm, telashi u hoq dhe hekuri doli në sipërfaqe.
Një i tretë iu desh të përballonte një rast të dhimbshëm shthurjeje. Ai e pati mësuar, qortuar, paralajmëruar, e kishte nxitur të ndryshonte, kishte ndërhyrë në lutje, por më kot. Adami i vjetër ishte shumë i fortë për Melaktonin e ri, fryma kokëfortë nuk lëshonte pe. Më pas erdhi një agoni lutjeje dhe nuk u desh shumë që një përgjigje e bekuar të dërgohej prej qiellit. Zemra e fortë u thye, hekuri doli në sipërfaqe. Lexues i dashur, cili është rasti yt në dukje i pashpresë? Çfarë çështje të rëndë ke në duar këtë mbrëmje? Sille këtu. Perëndia i profetëve jeton dhe jeton të ndihmojë shenjtorët e Tij. Nuk do të lejojë të të mungojë ndonjë gjë e mirë. Beso në Zotin e ushtrive! Afrohu Atij duke përmendur emrin e Jezusit dhe hekuri do të dalë në sipërfaqe; ti gjithashtu do të shikosh krahun e Perëndisë duke kryer mrekulli për popullin e Tij. T’u bëftë sipas besimit tënd dhe përsëri hekuri do të dalë në sipërfaqe.
14 janar-mëngjes
“I fuqishëm për të shpëtuar.”
{Isaia 63:1}
Me fjalët “për të shpëtuar” ne kuptojmë tërë veprën e madhe të shpëtimit, prej dëshirës së parë të shenjtë përbrenda deri në shenjtërim të plotë. Këto fjalë janë multum in parvo; me të vërtetë, me këto fjalë përmblidhet e gjithë mëshira. Krishti jo vetëm që është “i fuqishëm për të shpëtuar” ata që pendohen, por është i aftë t’i bëjë njerëzit të pendohen. Ai do të shpjerë në qiell ata që besojnë dhe për më tepër, Ai është i fuqishëm t’u japë njerëzve zemra të reja dhe të jetësojë besimin në ta. Ai është i fuqishëm të bëjë njeriun që e urren shenjtërinë ta doje atë dhe të shtyjë përçmuesin e emrit të Tij të gjunjëzohet përpara Tij. Jo, kjo nuk është e gjithë domethënia, sepse fuqia hyjnore shikohet gjithashtu në veprën e mëvonshme. Jeta e besimtarit është një vazhdueshmëri mrekullish të kryera prej “Perëndisë së Fuqishëm.” Ferrishtja digjet nga zjarri, por nuk konsumohet.
Ai është i fuqishëm të ruajë njerëzit e Tij të shenjtë pasi i ka bërë të shenjtë, dhe t’i ruajë në druajtjen dhe dashurinë e Tij derisa shpirti i tyre shkon në qiell. Fuqia e Krishtit nuk qëndron në kthimin në besim duke e lënë më pas besimtarin të ecë vetë, por Ai që nisi punën e mirë do ta përfundojë; Ai që tejçon farën e parë të jetës në shpirtin e vdekur, zgjat ekzistencën hyjnore dhe e forcon derisa shpërthen copë copë çdo vargan mëkati dhe shpirti lartohet prej tokës i përkryer në lavdi. Besimtar, këtu ka inkurajim. A po lutesh për ndonjë njeri të dashur? Oh, mos hiq dorë prej lutjeve të tua, sepse Krishti është “i fuqishëm të shpëtojë.” Je i pafuqishëm të kthesh mbrapa rebelin, por Zoti yt është i plotfuqishëm. Shtrëngo atë dorë të fuqishme dhe ngrije lart që të lëshojë fuqinë e saj. A të trazon rasti jot? Mos druaj, sepse forca e Tij është e mjaftueshme për ty. Qoftë për të filluar veprën me të tjerët ose për ta vazhduar në ty, Jezusi është “i fuqishëm për të shpëtuar”; prova më e mirë e kësaj qëndron në faktin se të ka shpëtuar. Oh sa mëshirë e madhe që nuk e ke zbuluar Atë si i fuqishëm për të shkatërruar!
14 janar-mbrëmje
“Duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!”.
{Mateu 14:30}
Kohërat e fundosjes janë kohëra lutjeje për shërbëtorët e Zotit. Pjetri la pas dore lutjen në fillim të udhëtimit të tij të rrezikshëm, por kur filloi të fundosej rreziku e bëri përgjërues dhe thirrja e tij edhe pse vonë nuk ishte tepër vonë. Në orët tona të dhembjes trupore dhe ankthit mendor, ne e gjejmë veten po aq natyrshëm të udhëhequr drejt lutjes sa anija e mbytur shtyhet në breg nga dallgët. Dhelpra fshihet në strofullën e saj për mbrojtje; zogu fluturon në pyll për strehë; dhe po ashtu edhe besimtari i sprovuar nxiton për te froni i mëshirës për siguri. Limani i madh strehues i qiellit është Lutje e pareshtur; mijëra anije të rrahura prej stuhisë kanë gjetur një mbrojtje atje dhe në çastin kur një stuhi vjen, është gjë e urtë për ne të drejtohemi atje.
Lutje të shkurtëra janë të gjata mjaftueshëm. Kishte veçse tre fjalë në kërkesën që Pjetri shprehu, por ato ishin të mjaftueshme për qëllimin e tij. Nuk kërkohet gjatësia, por forca e lutjes. Një ndijim nevojshmërie është një mësues i fuqishëm i një lutje të shkurtër. Nëse lutjet tona do të ishin më pak të fryra dhe më me tepër thelb do të ishin shumë më mirë. Dërdëllitja është për përkushtimin si byku për grurin. Gjërat e çmueshme qëndrojnë në hapësira të vogla dhe ajo që është lutje e vërtetë në shumë përgjërime të gjatë mund të ishte shprehur në një kërkesë po aq të shkurtër sa ajo e Pjetrit.
Ngushticat tona janë rastet e mira të Zotit. Menjëherë një ndijim i mprehtë rreziku nxjerr prej nesh një klithmë të merakosur që veshi i Jezusit dëgjon dhe me Të veshi dhe zemra janë gjithmonë bashkë dhe krahu i Tij nuk vonon të veprojë. Ne kthehemi për te Mjeshtri ynë në çastin e fundit, por krahu i Tij i zhdërvjellët i kompenson vonesat tona me një veprim të efektshëm dhe të menjëhershëm. A jemi pothuajse duke u mbytur prej ujërave të rrëmbyera të zemërdhembjes? Le të ngremë atëherë shpirtin tonë drejt Shpëtimtarit tonë dhe është e sigurtë se Ai nuk do të lejojë që të vdesim. Kur nuk mund të bëjmë asgjë, Jezusi mund të bëjë gjithçka; le të kemi në anën tonë ndihmën e Tij të fuqishme dhe çdo gjë do të jetë mirë.
15 janar-mëngjes
“Vepro ashtu si ke thënë.”
{2 Samueli 7:25}
Premtimet e Perëndisë nuk u bënë për t’u hedhur poshtë si letër e pavlerë; Ai pati për qëllim t’i përdorë. Ari i Perëndisë nuk është paraja e kurnacit, por është para e prerë për të bërë tregti. Asgjë nuk i pëlqen më shumë Zotit tonë se sa të hedhë në qarkullim premtimet e Tij; Ai do që të shikojë fëmijët e Tij t’ia paraqesin dhe t’i thonë, “Zot, vepro siç ke thënë,” Ne lavdërojmë Perëndinë kur i paraqesim premtimet e Tij. A mendon se Perëndia do të jetë më i varfër kur të jep pasuritë që ka premtuar? A ëndërron vallë se do të jetë më pak i shenjtë ngaqë të jep shenjtëri? A vërtet mendon se do të jetë më pak i pastër ngaqë të lan prej mëkateve të tua? Ai ka thënë “Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”
Besimi kap premtimin e faljes dhe nuk vonon, duke thënë, “Ky është një premtim i çmuar, a është e vërtetë apo jo?”, por shkon drejtpërsëdrejti te froni me të dhe thotë, “Zot, këtu është premtimi, “Vepro ashtu si ke thënë.” Zoti ynë përgjigjet, “T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Kur një i krishterë mbërthen një premtim dhe nuk ia shpie Perëndisë, e çnderon Atë, por kur nxiton te froni i hirit dhe klith, “Zot, nuk kam gjë me çfarë të mburrem, përveç se këtë, “Ti ke thënë;” atëherë dëshira e tij do të përmbushet. Bankieri ynë qiellor kënaqet të thyejë vetë kartëmonedhat e Tij. Mos e lër kurrë premtimin të ndryshket. Tërhiqe shpatën e premtimit prej millit dhe përdore me një dhunë të shenjtë. Mos mendo se Perëndia do të bezdiset ngaqë i kujton me këmbëngulje premtimet e Tij. Ai ka ëndje të dëgjojë klithmat e zhurmshme të shpirtrave nevojtarë. Është ëndja e Tij të japë favore. Ai është më i gatshëm të dëgjojë se sa ti je i gatshëm të kërkosh. Dielli nuk lodhet së ndriçuari, as burimi së rrjedhuri. Është në natyrën e Perëndisë të mbajë premtimet e Tij; prandaj shko menjëherë në fron me “Vepro ashtu siç ke thënë.”
15 janar-mbrëmje
“Unë i drejtohem lutjes.”
{Psalmi 109:4}
Gjuhët gënjeshtare ishin të zëna kundër emrit të mirë të Davidit, por ai nuk u mbrojt; ai e çoi çështjen në një gjykatë më të lartë dhe u paraqit përpara vetë Mbretit të madh. Lutja është metoda më e sigurtë për t’iu përgjigjur fjalëve të urrejtjes. Psalmisti nuk u lut me një prirje zemërftohtë, ai ia dha veten ushtrimit të lutjes—hodhi tërë shpirtin dhe zemrën e tij në të—duke tendosur çdo muskul dhe dell dhe ashtu si Jakobi bëri kur luftoi me engjëllin. Kështu dhe vetëm kështu, do të begatojë secili prej nesh në fronin e hirit. Ashtu si një hije nuk ka fuqi sepse nuk ka thelb në të, po ashtu ai përgjërim, ku njeriu i brendshëm nuk këmbëngul me gjithë zemër dhe dëshirë të zjarrtë, është plotësisht i paefektshëm, sepse i mungon ç’ka i jep forcë. “Lutja e zjarrtë,” thotë një fetar i vjetër, “si një top i vendosur në portat e qiellit, bën që portat të hapen gjerë e gjatë.” Faji jonë me shumicën prej nesh është gatishmëria jonë për t’ju dhënë hutimeve. Mendimet tona bredhin sa andej këndej dhe bëjmë pak përparim drejt qëllimit të dëshiruar. Ashtu si zhiva, mendja jonë nuk mbahet e bashkuar, por shkon sa andej këndej. Sa e keqe e madhe që është kjo! Na bën dëm dhe ç’ka është më keq akoma, fyen Perëndinë tonë. Çfarë do të mendonim në lidhje me një njeri që bën një peticion, nëse, ndërsa duke pasur një audiencë me një princ, të lozte me pupla ose të kapte flutura?
Vazhdimësia dhe këmbëngulja nënkuptohen në shprehjen e tekstit tonë. Davidi nuk thirri njëherë dhe më pas ra në heshtje, klithma e tij e shenjtë vazhdoi derisa solli poshtë bekimin. Lutja nuk duhet të jetë puna jonë e herë pas hershme, por puna jonë e përditshme, zakoni ynë dhe prirja jonë. Ashtu si artistët u jepen modeleve të tyre dhe poetët ndjekjeve të tyre klasike, po ashtu edhe ne duhet t’i jepemi lutjes. Ne duhet të zhytemi në lutje si në mjedisin tonë dhe të lutemi kështu pa pushuar. Zot, na mëso të lutemi që të mund të jemi përherë e më shumë mbizotërues në përgjërim.
16 janar-mëngjes
“Unë të ndihmoj, thotë Zoti.”
{Isaia 41 :14}
Këtë mëngjes le të dëgjojmë Zotin Jezus teksa i flet secilit prej nesh: “Unë të ndihmoj.” “Është gjë shumë e vogël për Mua, Perëndia yt, të të ndihmoj. Merr në konsideratë atë që kam bërë tashmë. Çfarë! mos të të ndihmoj? Është e pamundur, të kam blerë me gjakun Tim. Çfarë! Mos të të ndihmoj? Kam dhënë jetën për ty; dhe nëse kam bërë më të madhen, a nuk do të bëj më të voglën? Të të ndihmoj! Është gjëja më e pakët që mund të bëj ndonjëherë për ty; kam bërë më shumë dhe do të bëj më shumë. Përpara se bota të krijohej të zgjodha. Bëra besëlidhjen për ty. Vura mënjanë lavdinë Time dhe u bëra një njeri për ty; dhashë jetën për ty dhe përderisa kam bërë gjithë këtë, me siguri që do të ndihmoj tani. Duke të ndihmuar, po të jap atë që kam blerë tashmë për ty. Edhe sikur të kishe nevojë edhe për një mijë herë për aq ndihmë, do të ta jepja; kërkon pak në krahasim me atë që jam gati të të jap. “Është gjë e madhe për ty të kesh nevojë, por nuk është asgjë për mua të jap.” “Të të ndihmoj?” Mos druaj! Nëse do të kishte një milingonë në portën e hambarit tënd duke kërkuar ndihmë, ti nuk do të rrënoheshe po ti jepje një grusht me grurë; dhe ti nuk je asgjë përveçse një insekt i vocërr në portën e plotmjaftueshmërisë Sime. “Unë të ndihmoj.”
O shpirti im, a nuk të mjafton? A ke nevojë për më shumë forcë se sa plotfuqishmëria e Trinitetit të bashkuar? A do më tepër urtësi sa sa ka në Atin, më shumë dashuri se sa shfaqet në Birin, ose më pushtet se sa shfaqet në ndikimet e Frymës? Sille këtu shtambën tënde! Me siguri që ky burim do ta mbushë. Nxito, sill kërkesat e tua dhe silli këtu—zbrazëtinë tënde, dëshirat e tua nevojat e tua. Shiko, ky lum i Perëndisë është plot për furnizimin tënd; çfarë dëshiron vallë më tepër? Ec përpara, shpirti im, me tërë fuqinë tënde. Perëndia i Përjetshëm është ndihmësi yt!
Mos ki frikë, jam me ty, Oh, mos u tut!
Unë jam Perëndia yt dhe do të të ndihmoj akoma…
16 janar-mbrëmje
“Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të.”
{Danieli 9:26}
I bekuar qoftë emri i Tij, nuk kishte shkak vdekje në Të. As mëkati i tanishëm as ai fillestar nuk e pati ndotur, kështu që vdekja nuk pati pretendim për Të. Askush nuk mund t’ia merrte jetën me hak, sepse nuk i kishte bërë ndonjë të ligë askujt dhe askush nuk mund ta vriste madje edhe me dhunë po të mos i kishte pëlqyer ta jepte Veten për të vdekur. Mirëpo vëre këtë se njëri mëkaton dhe një tjetër vuan. Drejtësia u shkel prej nesh, por gjeti përmbushjen e saj në Të. Lumenj lotësh, male flijimesh, detra gjaku demash dhe kodra temjani, nuk mund të vlenin gjë për heqjen e mëkatit, por Jezusi u vra për ne dhe shkaku i zemërimit u hoq nga ne menjëherë, sepse mëkati u fshi përgjithmonë. Këtu ka urtësi, me anë të cilës zëvendësimi, mënyra e shpejtë dhe e sigurtë e shlyerjes, u mendua! Këtu ka zemërdhembshuri, që e solli Mesian, Princin, të mbajë kurorën me gjemba dhe të vdesë në kryq! Këtu ka dashuri, që çoi Shpëtimtarin të japë jetën e Tij për armiqtë e Tij!
Sido që të jetë, nuk mjafton të admirosh pamjen e gjakosjes së pafajshme për të fajshmin; ne duhet të sigurohemi që kemi pjesë aty. Synimi i veçantë i vdekjes së Mesias ishte shpëtimi i kishës së Tij; a kemi ne pjesë mes atyre për të cilët Ai dha jetën e Tij? A qëndroi Zoti Jezus si përfaqësuesi ynë? A jemi të shëruar prej Tij? Do të ishte me të vërtetë një gjë e tmerrshme nëse nuk do të kishim risk në flijimin e Tij; do të ishte më mirë për ne që të mos kishim lindur kurrë. Ashtu siç është një pyetje solemne, po ashtu është një gjë e gëzueshme ngaqë është një pyetje që mund të marrë përgjigje qartë dhe pa gabim. Për të gjithë ata që besojnë në Të, Zoti Jezus është Shpëtimtar gjithmonë i gjindshëm dhe mbi ta gjithë gjaku i pajtimit është spërkatur. Të gjithë ata që besojnë në meritën e vdekjes së Mesias qofshin të gëzuar në çdo kujtesë të saj dhe mirënjohja e tyre e shenjtë i udhëheqtë në përkushtim të plotë për kauzën e Tij.
17 janar-mëngjes
“Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit.”
{Zbulesa 14 :1}
Apostulli Gjon ishte i privilegjuar të shikonte brenda portave të qiellit dhe duke përshkruar atë që pa, ai fillon të thotë, “Pastaj pashë Qengjin!” Kjo na mëson se objekti kryesor i soditjes në gjendjen qiellore është “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!” Asgjë tjetër nuk tërhoqi vëmendjen e apostullit aq shumë sa personi i asaj Qenie Hyjnore, që na ka shpenguar me anë të gjakut të Tij. Ai është tema e këngëve të frymëve të lavdëruara dhe engjëjve të shenjtë. I krishterë, këtu ka gëzim për ty; ke vështruar dhe ke parë Qengjin. Mes lotëve të tu sytë e tu kanë parë Qengjin e Perëndisë duke të hequr mëkatet. Gëzohu atëherë. Edhe për pak kohë, kur lotët do të jenë fshirë nga sytë e tu, do të shikosh të njëjtin Qengj të lartësuar në fronin e Tij.
Është gëzimi i zemrës tënde të mbajë shoqërim të përditshëm me Jezusin; do të kesh të njëjtin gëzim në një shkallë më të lartë në qiell; do të gëzosh pamjen e vazhdueshme të pranisë së Tij; do të banosh me Të përherë. “Pastaj pashë Qengjin!” Ai Qengj është vetë qielli, sepse ashtu si i miri Ruterford thotë, “Qielli dhe Krishti është e njëjta gjë”; të jesh me Krishtin është të jesh në qiell dhe të jesh në qiell është të jesh me Krishtin. Ai i burgosur i Zotit shumë ëmbël shkruan në një prej letrave të tij të ngrohta—”Oh Zoti im Jezu Krisht, nëse do të isha në qiell pa Ty, do të ishte një ferr; dhe po të isha si në ferr dhe të të kisha akoma Ty, do të ishte një qiell për mua, sepse Ti je i gjithë qielli që dua.” Është e vërtetë, apo jo, i krishterë? A nuk thotë kështu shpirti yt?
Të gjitha harpat lart
nuk e bëjnë vendin qiellor,
Nëse Perëndia lëviz banesën e Tij,
Ose fsheh fytyrën e Tij.
Gjithçka që ke nevojë për të të bërë të bekuar, jashtë mase të bekuar, është “të jesh bashkë me Krishtin.”
17 janar-mbrëmje
“Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në taracën e pallatit mbretëror.”
{2 Samueli 11 :2}
Në atë orë Davidi pa Bath-Sheban. Nuk jemi kurrë jashtë rrezes së tundimit. Në shtëpi ose jashtë rrezikojmë të ndeshim joshje të djallit; mëngjesi hapet me rrezik dhe hijet e mbrëmjes na gjejnë akoma në rrezik. Janë të ruajtur mirë ata që Perëndia i ruan, por mjerë ata që dalin në botë, ose madje guxojnë të ecin edhe në vetë shtëpinë e tyre të paarmatosur. Ata që e ndjejnë veten e tyre të sigurtë janë më të zbuluar ndaj rrezikut se të tjerët. Mbajtësi i armëve të Mëkatit është Vetë-besimi. Davidi duhet të kishte shkuar të luftonte betejat e Zotit, në vend që të kishte qëndruar në Jeruzalem dhe i lejoi vetes rehati luksoze, sepse u çua prej shtratit në mbrëmje. Përtacia dhe luksi janë çakajtë e djallit dhe i gjejnë këtij gjah të bollshëm. Në ujërat ndenjëse gëlojnë krijesat e dëmshme dhe toka e lënë pas dore lëshon barëra të këqija. Oh dashuria shtrënguese e Jezusit na ruajtë veprues dhe të dobishëm! Kur shikoj Mbretin e Izraelit duke lënë me plogështi shtratin e tij në muzgun e ditës dhe duke rënë menjëherë në tundim, le të bëj kujdes dhe të kem vëmendje të shenjtë për të ruajtur portën e zemrës.
A është e mundur që mbreti të ishte ngjitur në tarracë për prehje dhe përkushtim? Nëse kështu, çfarë paralajmërimi që na jepet, që të mos llogarisim asnjë vend, sa do i veçuar, një shenjtërore larg prej mëkatit! Ndërsa zemrat tona janë si çakmak me gur dhe hedhin shkëndija aty për aty, do të bënim mirë të përdorim kudo qofshim gjithë zellin për të parandaluar një zjarr. Satanai mund të ngjisë tarracat e shtëpive, të hyjë në kthina dhe madje edhe sikur ta mbyllnim atë djall të fëlliqur, vetë korruptimet tona mjaftojnë për të vënë në punë rrënimin tonë nëse hiri nuk parandalon. Lexues, ki kujdes për tundimet e mbrëmjes. Mos ji i sigurtë. Dielli perëndon, por mëkati lind. Kemi nevojë për një rojtar gjatë natës po ashtu si dhe gjatë ditës. O Frymë e bekuar, na ruaj prej çdo të lige këtë natë. Amen.
18 janar-mëngjes
“Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.”
{Hebrenjve 4:9}
Sa e ndryshme do të jetë gjendja e besimtarit në qiell prej asaj që është këtu! Këtu ai ka lindur për të punuar rëndë dhe të mundohet, por në tokën e pavdekësisë, lodhja nuk njihet. Duke dëshiruar fort t’i shërbejë Mjeshtrit të tij, forca që ka nuk ndjek dot zellin e tij; klithma e tij e vazhdueshme është, “Më ndihmo të të shërbej, o Perëndia im.” Nëse është tejet aktiv, do të ketë shumë punë për të bërë; nuk është shumë punë për vullnetin e tij, por ama është më shumë se mjaftueshëm për fuqinë e tij, kështu që do të thërrasë, “Nuk jam i lodhur prej punës, por jam i lodhur në të.” Ah! i krishterë, dita e nxehtë e lodhjes nuk zgjat përherë; dielli po duket në horizont; ai do të lindë përsëri, me një dritë më të shkëlqyeshme se sa ke parë ndonjëherë, në një vend ku ata i shërbejnë Perëndisë ditë e natë dhe prapëseprapë pushojnë prej punëve të tyre. Këtu, prehja është veçse e pjesshme ndërsa atje është e përkryer.
Këtu, i krishteri është përherë endacak; ndjen se nuk ka arritur akoma atje ku duhet. Atje, të gjithë janë në prehje; kanë arritur majën e malit; janë ngjitur deri në kraharorin e Perëndisë. Më lart ata nuk mund të shkojnë. Ah, ti mëditës i rraskapitur, mendo se një ditë do të prehesh përjetë! A e merr dot me mend? Është një prehje e përjetshme; një prehje që “mbetet.” Në këtë botë, gëzimet më të mira mbajnë në ballë vulën “kalimtare”; lulet e mia të bukura vyshken; kupat e mia të zgjedhura thahen deri në fundërri; zogjtë e mi më të ëmbël bien përpara shigjetave të Vdekjes; ditët e mia më të këndshme mbulon prej hijeve të natës; dhe baticat e lumnisë sime bien në zbatica trishtimi, por atje, gjithçka është e pavdekshme; harpa qëndron e pandryshkur, kurora e pavenitur, syri i pamekur, zëri i palëkundur, zemra e paluhatur dhe qenia e pavdekshme është e tëra e zhytur në endje të pafundme. Ditë e lumtur! e lumtur! kur vdekshmëria do të gllabërohet prej jetës dhe Shabati i përjetshëm do të fillojë.
18 janar-mbrëmje
“Ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin Atij.”
{Lluka 24 :27}
Dy dishepujt në rrugën për në Emaus patën një udhëtim tepër të dobishëm. Shoqëruesi dhe mësuesi që patën ishte kujdestari më i mirë; interpretuesi i pashoq në të Cilin janë të fshehura të gjitha thesaret e urtësisë dhe njohurisë. Zoti Jezus begenisi të bëhej një predikues i ungjillit dhe nuk kishte turp të ushtronte thirrjen e Tij përpara dy dëgjuesve, as nuk kundërshtoi të bëhej mësuesi edhe veç njërit prej tyre. Le të kërkojmë shoqërinë e një Instruktori kaq të shkëlqyeshëm, sepse derisa të mos jetë bërë për ne urtësi nuk do të jemi kurrë të urtë për shpëtimin.
Ky mësues i pakrahasueshëm përdori si libër më të mirin e librave. Edhe pse i aftë të zbulonte të vërtetë të freskët, parapëlqeu të shpjegonte të vjetrën. E dinte prej gjithëdijes së Tij cila ishte mënyra më shumë mësimdhënëse dhe duke u kthyer menjëherë tek Moisiu dhe profetët, na tregoi se udha më e sigurtë drejt urtësisë nuk është hamendësimi, arsyetimi ose leximi i librave njerëzor, por përsiatja mbi Fjalën e Zotit. Udha më e shpejtë për t’u bërë shpirtërisht i pasur në njohuri qiellore është të gërmosh në minierën e diamanteve, të mbledhësh perla prej detit qiellor. Kur Jezusi Vetë u përpoq të pasuronte të tjerët, ai punoi në minierën e Shkrimit të Shenjtë. Dy dishepujt e favorizuar u nxitën që të merrnin në konsideratë më të mirën e temave, sepse Jezusi foli për Jezusin dhe shpjegoi gjërat në lidhje me Veten e Tij. Këtu diamanti preu diamantin dhe çfarë vallë mund të ishte më e admirueshme? I Zoti i shtëpisë hapi vetë dyert e Tij, çoi të ftuarit në tryezën e Tij dhe shtroi vetë gjellët e Tij të përzgjedhura. Ai që fshehu vetë thesarin në arë, çoi kërkuesit atje. Zoti ynë flet natyrshëm mbi temën më të ëmbël dhe nuk mund të gjejë temë më të ëmbël se sa vetë personi dhe vepra e Tij; në këtë mënyrë ne duhet të kërkojmë përherë Fjalën. Oh na u dhëntë hiri të studiojmë Biblën me Jezusin si mësuesi dhe mësimi ynë!
19 janar-mëngjes
“E kërkova, por nuk e gjeta.”
{#Kantiku i kantikëve 3:1}
Më thuaj ku e humbe shoqërimin e Krishtit dhe do të të them vendin ku ka më shumë gjasa ta gjesh. A e humbe Krishtin në dhomën tënde duke mos u lutur aq sa duhet? Atëherë atje duhet ta kërkosh dhe ta gjesh. A e humbe Krishtin prej mëkatit? Nuk do ta gjesh Krishtin në rrugë tjetër përveçse duke hequr dorë prej mëkatit dhe duke kërkuar me anë të Frymës së Shenjtë t’i japësh vdekjen gjymtyrës ku epshi banon me të vërtetë. A e humbe Krishtin duke lënë pas dore Shkrimet? Duhet të gjesh Krishtin në Shkrimet. Kjo fjalë e urtë është e vërtetë “aty ku ke lënë diçka aty do ta gjesh.” Kështu që kërko Krishtin atje ku e humbe, sepse Ai nuk është larguar tutje. Mirëpo është gjë e vështirë të kthehesh te Krishti. Buniani na thotë se shtegtarit iu duk pjesa e udhës mbrapa për në Vendin e Rehatisë, ku humbi librin e Shkrimeve, më e vështira që kishte bërë ndonjëherë. Njëzet milje përpara është më e lehtë se sa të shkosh një milje mbrapa për të gjetur dëshminë e humbur.
Bëj kujdes pra kur gjen Mjeshtrin tënd që t’i rrish sa më afër. Por si vallë ndodhi që e humbe? Dikush do të kishte menduar se nuk do të ishe larguar kurrë prej një miku kaq të çmuar, që ka një prani kaq të ëmbël, fjalë kaq ngushëlluese dhe shoqëri kaq të shtrenjtë për ty! Si vallë ndodhi që nuk e vështrove në çdo çast prej frikës se mos e humbisje? Prapëseprapë, që kur e ke lënë të shkojë, çfarë mëshire që po e kërkon tashmë, edhe pse psherëtin me vajtim, “Ah, sikur të dija ku ta gjeja!” Vazhdo ta kërkosh, sepse është e rrezikshme të jesh pa Zotin. Pa Krishtin je si dele pa bari; si pemë pa ujë në rrënjët e saj; si një gjethe e tharë në një stuhi—jo e bashkuar me pemën e jetës. Me gjithë zemrën tënde kërkoje Atë dhe Ai do të gjendet prej teje; veçse jepja vetën tërësisht kërkimit, me të vërtetë do ta gjesh përsëri dhe do të gëzohesh dhe do të jesh plot hare.
19 janar-mbrëmje
“Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet.”
{#Lluka 24:45}
Atë që e pamë mbrëmjen e kaluar duke hapur Shkrimin, e dallojmë këtu duke hapur mendjen. Në punën e parë Ai ka shumë shokë mëditës, por në të dytën qëndron i vetëm; shumë mund të sjellin Shkrimet para mendjes, por vetëm Zoti mund të përgatisë mendjen për të marrë Shkrimet. Zoti ynë Jezus ndryshon prej të gjithë mësuesve të tjerë; ata arrijnë veshin, por Ai mëson zemrën; ata merren me shkronjën e jashtme, por Ai përçon një parashije të brendshme për të vërtetën, me anë të cilës ne dallojmë shijen dhe frymën e saj. Njerëzit më të pamësuar bëhen shkollarë të pjekur në shkollën e hirit kur Zoti Jezus me anë të Frymës së Tij të shenjtë i shpalos misteret e mbretërisë dhe i jep vajosjen hyjnore me anë të cilës ata mundësohen të shikojnë të padukshmen. Lum ne nëse kemi mendjen të hapur dhe të forcuar prej Mjeshtrit! Sa shumë njerëz me dituri të thellë janë të paditur në lidhje me gjërat e përjetshme!
Ata e njohin shkronjën vrasëse të zbulesës, por frymën e saj të gjallë nuk mund ta dallojnë dot; kanë një vello mbi zemrat e tyre që sytë e arsyes njerëzore nuk mund ta depërtojnë dot. I tillë ishte rasti ynë më përpara; ne që tani shikojmë ishim një herë e një kohë të verbër; e vërteta ishte për ne si bukuria në errësirë, një gjë e padallueshme dhe e lënë pas dore. Po të mos kishte qenë prej dashurisë së Jezusit, në këtë çast do të kishim mbetur në padije të plotë, sepse nëse Ai nuk do të kishte hapur mendjen tonë me hirin e Tij, ne nuk do të mund të kishim arritur dot te njohuria shpirtërore; do të arrinim jo më shumë se sa një fëmijë mund të ngjiste Piramidat, ose jo më shumë se sa një struc mund të fluturonte deri te yjet. Kolegji i Jezusit është i vetmi ku e vërteta e Perëndisë mund të mësohet me të vërtetë; shkollarë të tjerë mund të na mësojnë se çfarë duhet besuar, por vetëm Krishti mund të na tregojë se si duhet besuar. Le të ulemi nën këmbët e Jezusit dhe me lutje të zellshme të thërrasim për ndihmën e Tij të bekuar që inteligjenca jonë e plogësht të zgjohet dhe i kuptuari ynë i dobët të mund të marrë gjërat hyjnore.
20 janar-mëngjes
“Abeli u bë bari kopesh.”
{#Zanafilla 4:2}
Si bari, Abeli ia shenjtëroi veprën e tij lavdisë së Perëndisë dhe ofroi një flijim gjaku mbi altar dhe Zoti e pranoi Abelin dhe flijimin e tij. Kjo shëmbëlltyrë e hershme e Perëndisë tonë është tejet e qartë dhe e dallueshme. Ashtu si rrezja e parë e dritës, që ngjyron lindjen në lindjen e diellit, nuk zbulon menjëherë gjithçka, por ajo shpall qartë faktin e madh se dielli po lind. Teksa shohim Abelin, një bari dhe po ashtu një prift, duke ofruar një flijim me aromë të mirë për Zotin, ne dallojmë Zotin tonë, që sjell përpara Atit të tij një flijim që Jehovai e pranoi përjetësisht. Abeli u urrye prej vëllait të tij—i urryer pa arsye; dhe po ashtu ishte me Shpëtimtarin; njeriu mishor dhe natyror urreu njeriun e pranuar ku gjendej Fryma e hirit dhe nuk gjente prehje derisa gjaku i tij të ishte derdhur.
Abeli ra dhe e spërkati altarin dhe flijimin e tij me vetë gjakun e tij dhe me këtë nxjerr në pah Zotin Jezus i vrarë prej armiqësisë së njeriut tek shërbente si prift përpara Zotit. “Bariu i mirë jep jetën e vet për delet.” Le të vajtojmë mbi Të teksa e shohim të vrarë prej urrejtjes së njerëzimit duke njomur brirët e altarit të Tij me vetë gjakun e Tij. Gjaku i Abelit flet. “Zoti i tha Kainit, “Zëri i gjakut të vëllait tënd me vëngon nga toka.” Gjaku i Jezusit ka një gjuhë të fuqishme dhe kuptimi i gjëmimit të tij që vazhdon nuk është urrejtje, por mëshirë. Është i çmuar përtej çdo gjëje të çmueshme të qëndrosh në altarin e Bariut tonë të mirë! ta shikosh duke derdhur gjak atje si një prift i therur dhe më pas të dëgjosh gjakun e Tij t’i shpallë paqe gjithë tufës së Tij, paqe në ndërgjegjen tonë, paqe mes hebrenjve dhe johebrenjve, paqe midis njeriut dhe Krijuesit të tij të fyer, paqe përjetësisht për të gjithë njerëzit të larë me gjak. Abeli është bariu i parë në kohë, por zemrat tona do të vendosin përherë Jezusin së pari në shkëlqesi. Ti Rojtari i madh i deleve, ne populli i kullotës Tënde do të të bekojmë me gjithë zemrat tona kur të të shikojmë të therur për ne.
20 janar-mbrëmje
“Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.”
{#Psalmi 119:37}
Ka gjithfarë kotësish. Kapela dhe zilja e hokatarit, gazi i botës, qejfi, joshja dhe kupa e të shthururit, njerëzit e dinë se gjithë këto janë kotësi; këto mbajnë mbi vetë ballin e tyre vetë emrin dhe titullin e tyre. Shumë më të rrezikshme janë ato gjëra po aq të kota, shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimi i pasurive. Një njeri mund t’i vijë pas kotësisë po aq mirë në një bankë sa në një teatër. Nëse është duke shpenzuar jetën e tij duke grumbulluar pasuri, i kalon kështu ditët e tij në një shfaqje të kotë. Po të mos ndjekim Krishtin dhe nëse nuk e bëjmë Perëndinë tonë qëllimin e madh të jetës, ne dallojmë veçse në dukje prej mendjelehtit më të madh.
Është e qartë se ka shumë nevojë për lutjen e parë të tekstit tonë. “Gjallëromë në rrugët e tua.” Psalmisti rrëfen se ai është i paditur, i rëndë, i ngathët, gati i vdekur. Ndoshta, lexues i dashur, ti ndjehesh kështu. Jemi kaq të plogësht sa motivet më të mira nuk mund të na gjallërojnë, përveç se vetë Zoti. Çfarë! a nuk do të më gjallërojë vallë ferri? A mendoj për mëkatarët duke vdekur dhe prapëseprapë i pagjallëruar? A nuk do të më gjallërojë parajsa? A mund të mendoj për shpërblimin që pret të drejtin dhe prapëseprapë të jem i ftohtë? A nuk do të më gjallërojë vdekja? A mund të mendoj për vdekjen dhe qëndrimin përpara Perëndisë tim dhe prapëseprapë të jem i plogësht në shërbimin e Zotit tim? A nuk do të më shtrëngojë vallë dashuria e Krishtit? A mund të mendoj vallë për plagët e Tij të shtrenjta, a mund të ulem në këmbën e kryqit të Tij dhe prapëseprapë të mos frymëzohem me zell të madh? Kështu duket! Asnjë konsideratë e thjeshtë nuk mund të na gjallërojë për të pasur zell, por vetë Perëndia duhet ta bëjë këtë, prandaj dhe thirrja, “Gjallëromë.” Psalmisti shpalos jashtë gjithë shpirtin e tij në përgjërime të zjarrta; trupi dhe shpirti i tij bashkohen në lutje. “Largoji sytë e mi;” thotë trupi: “Gjallëromë,” thërret shpirti. Kjo është një lutje e duhur për çdo ditë. O Zot, dëgjoje atë në rastin tim këtë mbrëmje.
21 janar-mëngjes
“Dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet.”
{#Romakëve 11:26}
Më pas Moisiu këndoi në Detin e Kuq, ishte gëzimi i tij të dinte se i gjithë Izraeli ishte i sigurtë. As dhe një pikë ujë nuk ra prej atij muri të fortë derisa i fundit i Izraelit të Perëndisë pati ngulitur me siguri këmbën e tij në anën tjetër të ujërave. Sapo u bë ashtu, menjëherë ujërat u shpërhapën përsëri në vendin e tyre të duhur, por ama jo deri atëherë. Pjesë e asaj këngë ishte, “Me mëshirën Tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar.” Në fund fare, kur i zgjedhuri do të këndojë këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe të Qengjit, ai do të jetë krenaria e Jezusit, “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë.” Nuk do të ketë në parajsë ndonjë fron të zbrazët.
Sepse e gjithë raca e zgjedhur
Do të mblidhet rreth fronit,
Do të bekojë hirin e Tij
Dhe do të shpallë lavditë e Tij.
Të gjithë ata që Perëndia ka zgjedhur, të gjithë ata që Krishti ka shpenguar, të gjithë ata që Fryma ka thirrur, të gjithë ata që besojnë në Jezusin, do të kalojnë me siguri detin e ndarë. Ne nuk kemi mbërritur akoma me siguri:
Një pjesë e ushtrisë ka kaluar ujërat,
Dhe një pjesë tjetër po i kalon tani.
Pararoja e ushtrisë ka arritur tashmë bregun. Po ecim përmes thellësirave; këtë ditë po ndjekim me zell Udhëheqësin tonë në zemër të detit. Le të gëzohemi; praparoja do të jetë së shpejti atje ku pararoja është tashmë; i fundit i të zgjedhurve së shpejti do të kalojë detin dhe atëherë do të dëgjohet kënga e triumfit, kur të gjithë do të jenë të sigurtë. Por oh! nëse ndonjëri do të mungonte—oh! nëse ndonjëri i familjes së Tij të zgjedhur të flakej jashtë—kjo gjë do të shkaktonte një stonim të përjetshëm në këngën e të shpenguarve dhe do të prishte telat e harpave të parajsës, pa mundur dot të nxjerrin më melodi.
21 janar-mbrëmje
“Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: “Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja?”
{#Gjyqtarët 15 :18}
Sansoni ishte i etur dhe gati për të vdekur. Vështirësia ishte tërësisht e ndryshme nga ato që heroi pati ndeshur më përpara. Të kesh thjesht etjen të qetësuar nuk është kaq gjë e rëndësishme sa të jesh i çliruar prej një mijë filistejsh! por kur etja ra mbi të, Sansoni e ndjeu atë vështirësi të vogël të tashme më të rëndë se sa vështirësinë e madhe të kaluar prej së cilës qe çliruar në mënyrë aq të mrekullueshme. Është shumë e zakonshme për njerëzit e Perëndisë, që një trazirë e vogël t’u duket e tepërt, mbasi kanë gëzuar një çlirim të madh. Sansoni vrau një mijë filistej duke i bërë pirgje dhe më pas ligështohet për pak ujë! Jakobi lufton me Perëndinë në Peniel, del fitimtar mbi vetë Plotfuqishmërinë dhe më pas shkon “duke çaluar për shkak të ijës!” E çuditshme që duhet të ketë një tkurrje të forcës sa herë që dalim fitimtar. Është njësoj sikur Zoti të na mësonte vogëlsinë tonë, hiçin tonë, në mënyrë që të na mbajë përbrenda caqeve. Sansoni u mburr gati me zë të lartë ku tha, “vrava një mijë njerëz.” Gryka e tij mburravece shpejt pati një etje të madhe dhe ai filloi të lutet.
Perëndia ka shumë mënyra se si të përulë popullin e Tij. Fëmijë i shtrenjtë i Perëndisë, nëse mbas një mëshire të madhe je shtrirë shumë poshtë, rasti yt nuk është një rast i pazakontë. Kur Davidi pati ngjitur fronin e Izraelit, ai tha, “Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët.” Duhet të presësh të ndjehesh shumë i dobët ndërsa je duke gëzuar triumfin tënd më të madh. Nëse në të kaluarën Perëndia ka kryer për ty çlirime të mëdha, vështirësia jote e tanishme është vetëm si etja e Sansonit dhe Zoti nuk do të lërë të ligështohesh, as nuk do të lejojë bijën e të parrethprerit të triumfojë mbi ty. Rruga e trishtimit është rruga për në qiell, por ka burime me ujë freskues përgjatë gjithë udhës. Kështu, vëlla i sprovuar, ngazëllo zemrën me fjalët e Sansonit dhe rri i sigurtë se Perëndia nuk do të vonojë të të shpëtojë.
22 janar-mëngjes
“Bir njeriu, ç`është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?”
{#Ezekieli 15:2}
Këto fjalë janë për përuljen e fëmijëve të Perëndisë; ata quhen hardhia e Perëndisë, por çfarë kanë ata vallë prej natyre më shumë se të tjerët? Prej mirësisë së Perëndisë ata janë bërë të frytshëm, duke qenë të mbjellë në një tokë të mirë; Zoti i ka stërvitur mbi muret e shenjtërores dhe ata sjellin fryte për lavdinë e Tij, por çfarë vallë janë ata pa Perëndinë e tyre? Çfarë janë vallë ata pa ndikimin e vazhdueshëm të Frymës, që sjell fryte në ta? O besimtar, mëso të hedhësh poshtë krenarinë, duke parë se nuk ke arsye pse të jesh krenar. Çfarëdo që je, ti nuk ke asgjë që mund të të bëjë krenar. Aq më shumë që ke, aq më shumë i je borxhli Perëndisë; dhe nuk duhet të jesh krenar në lidhje me ç’ka të bën borxhli. Merr në konsideratë origjinën tënde; shiko mbrapa se çfarë ishe. Merr në konsideratë se çfarë do të kishe qenë nëse hiri hyjnor nuk do të kishte ndërhyrë.
Shiko mbi vetveten ashtu siç je tani. A nuk të qorton ndërgjegjja? A nuk qëndrojnë vallë para teje hallakatjet e tua të shumta duke të thënë se je i padenjë për t’u quajtur biri i tij? Dhe nëse tani je ndryshe a nuk nxjerr mësim nga kjo se është hiri që të ka bërë të ndryshosh? Ti që je besimtar i shquar, do të kishe qenë një mëkatar i shquar nëse Perëndia nuk do të kishte bërë që të ndryshoje. O ti që je trim për të vërtetën, do të kishe qenë po aq trim për gabimin nëse hiri nuk do të të kishte zotëruar. Prandaj, mos ji krenar, edhe pse ke zotërime të mëdha, pasuri të mëdha hiri, nuk ke as edhe gjënë më të vogël për ta quajtur tënden përveç mëkatit dhe mjerimit tënd. Oh! dalldi e habitshme, që ti, që ke marrë hua çdo gjë, të mund të mendosh të lartësohesh; ti që je si një pensionist i varfër që varet prej zemërgjerësisë së Shpëtimtarit të tij, ti që ke një jetë që vdes nëse nuk merr ujëra të freskët jete prej Jezusit dhe prapëseprapë krenar! Turp të kesh, o zemër e çmendur!
22 janar-mbrëmje
“Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?”
{#Jobi 1:9}
Kjo ishte pyetja e ligë e satanait në lidhje me atë njeriun e drejtë të kohërave të vjetra, por ka shumë njerëz sot për të cilët me të drejtë mund të bëhet kjo pyetje, sepse këta e duan Perëndinë ngaqë i jep begati. por nëse gjërat do të shkonin keq për ta, ata do të braktisnin të gjithë besimin në Perëndi që e trumbetojnë me të madhe. Nëse kuptojnë qartë se që prej kohës së kthimit të tyre të hamendësuar në besim çdo gjë ka shkuar mirë për ta, atëherë ata e duan Perëndinë në mënyrën e tyre të varfër mishore, por nëse ndeshin kundërshti, ngrenë krye kundër Zotit. Dashuria e tyre është dashuria e barkut dhe jo e bujtësit; dashuri me interes dhe jo shërbyese. Në lidhje me të krishterin e vërtetë, ai pret të ketë shpërblimin e tij në botën që vjen dhe të durojë vështirësinë në këtë botë këtu poshtë. Premtimi i besëlidhjes së vjetër ishte begatia, por premtimi i besëlidhjes së re është armiqësia.
Kujto fjalët e Krishtit—”Çdo shermend që nuk jep fryt në Mua, Ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt.”—Çfarë? “Ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.” Nëse jepni fryte do t’ju duhet të duroni trishtime. “Sa keq!” po thoni, “kjo është një perspektivë e tmerrshme.” Por kjo dhembje sjell rezultate të tilla, që i krishteri që i pëson të mësojë të gëzohet në mundime, sepse teksa mundimet e tija shtohen me bollëk, po ashtu ngushëllimet janë me bollëk me anë të Krishtit Jezus. Rri i qetë, nëse je një fëmijë i Perëndisë, nuk do të të kursehet fshikulla. Herët a vonë çdo shufër ari duhet të kalojë përmes zjarrit. Mos druaj, por përkundrazi gëzohu që të tillë kohëra të frytshme janë rezervuar për ty, sepse në këto kohë do të shkëputesh nga gjërat e kësaj bote dhe do të përgatitesh për qiellin; do të çlirohesh prej pasionit tënd për gjërat e të tashmes dhe do të bëhesh të dëshirosh fort ato gjëra të përjetshme që do të të zbulohen së shpejti. Kur e ndjen se përsa i përket së tashmesh i shërben Perëndisë pa asgjë në kthim, do të gëzohesh atëherë në shpërblimin e pafund të së ardhmes.
23 janar-mëngjes
“Përlëvdova një të zgjedhur nga populli.”
{#Psalmi 89 :19}
Pse Krishti u zgjodh nga gjiri i popullit? Fol zemra ime, sepse mendimet e zemrës janë më të mirat. A nuk ndodhi kjo vallë në mënyrë që të ishte vëllai ynë, në lidhjen e shenjtë të të njëjtit gjak? Oh çfarë marrëdhënie që ka midis Krishtit dhe besimtarit! Besimtari mund të thotë, “kam një Vëlla në qiell; mund të jem i varfër, por kam një Vëlla që është i pasur, që është një Mbret dhe a do të lejonte Ai vallë që të jem nevojtar ndërsa është në fronin e Tij? Oh, jo! Ai më do; është Vëllai im.” Besimtar, vendos këtë mendim të bekuar, si një varëse diamantesh rreth qafës së memories tënde; vendose si një unazë të artë në gishtin e kujtesës dhe përdore si vetë vula e mbretit, duke vulosur peticionet e besimit tënd me mirëbesimin se do të kenë sukses. Ai është një vëlla i lindur për kohë kundërshtish, trajtoje si të tillë.
Krishti u zgjodh nga gjiri i popullit edhe që të mund të njihte nevojat tona dhe të na ngushëllonte. “Ai u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.” Në të gjitha pikëllimet tona, ne kemi ngushëllimin e Tij. Tundimi, dhembja, zhgënjimi, dobësia, lodhja dhe varfëria—Ai i njeh të gjitha këto, sepse i ka përjetuar të gjitha. Kujto këtë, i krishterë dhe gjej ngushëllim. Sado e vështirë dhe e dhembshme rruga jote, ajo është e shënuar prej gjurmëve të Shpëtimtarit tënd; dhe edhe atëherë kur arrin luginën e errët të hijes së vdekjes dhe ujërat e thella të Jordanit janë fryrë, do të gjesh gjurmët e Tij atje. Në të gjitha vendet kudo që të shkojmë, Ai ka qenë pararendësi ynë; çdo barrë që kemi për të mbajtur ka qenë së pari e vendosur mbi supet e Emanuelit.
Udha e Tij ishte shumë më e ashpër dhe e errët se e imja;
A vuajti Krishti, Zoti im, ndërsa unë do qahem?
Merr kurajë! Këmba mbretërore ka lënë një gjurmë gjaku të kuq mbi udhë dhe ka hapur shtegun me gjemba përgjithmonë.
23 janar-mbrëmje
“Ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën.”
{#Kantiku i kantikëve 1 :4}
Jezusi nuk do ta lërë popullin e Tij të harrojë dashurinë e Tij. Nëse e gjithë dashuria që ata kanë gëzuar do të harrohej, Ai do t’i vizitojë me dashuri të freskët. “A po e harron kryqin tim?” thotë Ai, “do të bëj që ta kujtosh, sepse në tryezën time do të të shfaqem përsëri. A po harron se çfarë bëra për ty në dhomën e këshillit të përjetësisë? Do të ta kujtoj, sepse do të kesh nevojë për një këshilltar dhe do të më gjesh gati sa herë që thërret.” Nënat nuk i lënë fëmijët e tyre t’i harrojnë. Nëse djali ka shkuar në Australi dhe nuk shkruan, nëna e tij shkruan—”A ka harruar Gjoni nënën e tij?” Më pas ja ku vjen një letër e ngrohtë, që provon se kujtesa e ëmbël nuk ishte e kotë.
Po ashtu është me Jezusin, Ai na thotë, “Më kujto,” dhe përgjigjja jonë është, “Do ta kujtojmë dashurinë Tënde.” Do ta kujtojmë dashurinë Tënde dhe historinë e saj të pashoqe. Është e vjetër ashtu si lavdia që pate me Atin përpara se bota të ekzistonte. Ne kujtojmë, O Jezus, dashurinë Tënde të përjetshme kur u bëre Siguria jonë dhe hyre në besëlidhje me ne. Ne mbajmë mend dashurinë që na kujton flijimin tënd, dashurinë e cila, deri në plotësimin e kohës, përsiati mbi atë flijim dhe që përpara se të ndodhte, në volumin e librit ishte shkruar për ty, “Ja, po vij.” Ne sjellim ndër mend dashurinë Tënde, o Jezus ashtu siç na u shfaq në jetën Tënde të shenjtë, prej grazhdit të Betlehemit deri te kopshti i Getsemanes. Ne vijmë mbas Teje prej djepit deri në varr—sepse çdo fjalë dhe vepër e jotja ishte dashuri—dhe ne gëzohemi në dashurinë Tënde që vdekja nuk e shteroi; dashuria jote që ndriti shkëlqyeshëm në ringjalljen Tënde. Ne kujtojmë atë zjarr dashurie që nuk do të të lërë kurrë të qetë derisa të zgjedhurit e Tu të jenë të strehuar në siguri, derisa Sioni të lavdërohet dhe Jeruzalemi të vendoset në qiell në themelet e tij të përjetshme prej drite dhe dashurie.
24 janar-mëngjes
“Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve.”
{#Psalmi 91 :3}
Perëndia çliron njerëzit e Tij nga laku i gjuetarit në dy kuptime. Nga laku dhe prej lakut. Së pari, Ai i çliron prej lakut—nuk i lë që të hyjnë brenda; dhe së dyti, nëse kapen prej tij, i çliron prej tij. Premtimi i parë është më i çmueshëm për disa; i dyti është më i miri për disa të tjerë. “Ai do të të çlirojë nga laku.” Si? Telashi është shpesh mënyra se si Perëndia na çliron. Perëndia e di se pabesitë tona së shpejti do të përfundojnë në shkatërrimin tonë dhe në mëshirën e Tij dërgon fshikullin. Ne themi, “Zot, pse kjo?” duke mos njohur se telashi ynë ka qenë mënyra e çlirimit tonë prej një të keqe më të madhe. Shumë janë shpëtuar prej rrënimit me anë të trishtimeve dhe kryqeve të tyre; këto kanë larguar të frikësuar zogjtë nga rrjeta.
Në kohëra të tjera, Zoti i ruan fëmijët e Tij nga laku i i gjuetarit duke i dhënë atyre forcë të madhe shpirtërore, kështu që kur tundohen të bëjnë të ligën ata thonë, “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” Por çfarë gjëje e bekuar që është që, nëse besimtari, në një orë të ligë, do të binte në rrjetë, prapëseprapë Perëndia do ta nxjerrë prej saj! O mëkatar, pikëllohu, por mos u dëshpëro. Edhe pse ke qenë i hallakatur, dëgjo çfarë thotë Shpenguesi yt—”Kthehuni o bij të përdalë, unë do të shëroj rebelimet tuaja.” Por ju thoni se nuk mund të ktheheni, sepse jeni të burgosur. Atëherë dëgjoni premtimin—“Me siguri Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve.” Akoma do të çlirohesh prej çdo të lige ku ke rënë dhe edhe pse nuk do të pushosh kurrë duke u penduar prej shtigjeve të tua, prapëseprapë Ai që të ka dashur nuk do të të flakë tutje; do të të pranojë, do të të japë gëzim dhe hare, që kockat që Ai ka thyer të mund të gëzohen. Asnjë zog i parajsës nuk do të vdesë në rrjetën e gjuetarit.
24 janar-mbrëmje
“Marta ishte krejt e zënë nga punët e shumta.”
{#Lluka 10 :40}
Gabimi i saj nuk ishte se shërbente; gjendja e shërbyesit i shkon për shtat çdo të krishteri. “Po shërbej,” duhet të jetë motoja e të gjithë princave të familjes mbretërore të qiellit. Po ashtu nuk ishte gabim se po shërbente shumë. Ne nuk mund të bëjmë kurrë me tepri. Le të bëjmë gjithçka që kemi mundësi të bëjmë; mendja, zemra dhe duart, le të vihen në punë në shërbimin e Mjeshtrit. Nuk ishte gabimi i saj se ishte e zënë duke i përgatitur një gosti Mjeshtrit. Lum Marta, që kishte një mundësi të tillë të priste një mysafir kaq të bekuar dhe lum ajo gjithashtu që kishte frymën e të kushtuarit të gjithë shpirtin e saj me kaq zell në shërbim. Gabimi i saj ishte se ishte krejt e zënë me punët e shumta të shërbimit, kështu që harroi Atë dhe u mor vetëm me shërbimin. Ajo lejoi shërbimin ta tejkalonte shoqërimin dhe kështu paraqiti një detyrë të njollosur me gjakun e tjetrës. Ne duhet të jemi Marta dhe Maria në një; ne duhet të shërbejmë shumë dhe të kemi shoqërim në të njëjtën kohë. Për këtë gjë ne kemi nevojë për hir të madh.
Është më e lehtë të shërbesh se sa të kesh shoqërim. Jozueu nuk u lodh kurrë duke luftuar me amalekitët, por Moisiu, në majën e malit në lutje, pati nevojë për dy ndihmës për të mbështetur duart e tij. Aq më shumë shpirtëror ushtrimi, aq më shpejt ne lodhemi në të. Frytet më të zgjedhura janë më të vështirat për t’u rritur; hiret më qiellore janë më të vështirat për t’u kultivuar. Të dashur, ndërsa nuk duhet të lëmë pas dore gjërat e jashtme, që janë të mira në vetvete, duhet gjithashtu të kemi kujdes të gëzojmë shoqërim personal dhe të gjallë me Jezusin. Kini kujdes që ulja te këmbët e Jezusit të mos lihet pas dore edhe pse me pretekstin e së shërbyerit Atij. Gjëja e parë për shëndetin e shpirtit tonë, gjëja e parë për lavdinë e Tij dhe gjëja e parë për vetë dobishmërinë tonë është të mbajmë veten në shoqërim të përhershëm me Zotin Jezus dhe të jemi të vëmendshëm që fryma jetësore e besimit sonë të ruhet mbi çdo gjë tjetër në botë.
25 janar-mëngjes
“Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë.”
{#Isaia 63:7}
Dhe a nuk mund ta bësh vallë këtë? A ka mëshira që nuk ke përjetuar? Dhe çfarë atëherë se je i zymtë tani, a mund ta harrosh vallë atë orë të bekuar kur Jezusi të takoi dhe tha, “Eja te Unë?” A nuk mund ta mbash mend vallë atë çast rrëmbyes kur shkërmoqi prangat e tua, i bëri zinxhirët e tu copë copë dhe tha, “Erdha të thyej varganët e tu dhe të të çliroj?” Ose nëse dashuria e fejesës është e harruar, duhet të ketë patjetër ndonjë gur kilometrik përgjatë rrugës së jetës jo dhe aq i mbuluar me myk mbi të cilin mund të lexosh një memorial të lumtur të mëshirës së Tij kundrejt tej? Çfarë, a nuk ke pasur vallë ndonjëherë ndonjë sëmundje si ajo që po vuan tani dhe a nuk të përtëriti vallë atëherë? A nuk ishe ndonjëherë i varfër më përpara dhe a nuk plotësoi vallë nevojat e tua? A nuk ishe në vështirësi ndonjëherë më përpara dhe a nuk të çliroi vallë?
Ngrihu, shko tek lumi i përjetimit tënd, mblidh ca xunkth dhe thur një arkë, ku besimi yt i vogël të mund të lundrojë mbi rrymën me siguri. Mos harro çfarë Perëndia ka bërë për ty; shfleto librin e kujtesës tënde dhe merr në konsideratë ditët e vjetra. A e ke harruar vallë malin e Mitsarit? A nuk të takoi vallë Zoti në Hermon? A nuk ke ngjitur ndonjëherë Malet e Ëndshme? A nuk je ndihmuar vallë kur ke pasur nevojë? Jo, e di se nuk ka qenë kështu. Shko pak mbrapa atëherë te mëshirat e përzgjedhura të së djeshmes dhe edhe pse gjithçka mund të jetë e errët tani, ndiz llambat e së kaluarës; ato do të shkëlqejnë përmes errësirës dhe do të besosh në Zotin derisa dita të shpërthejë dhe hijet të ikin tutje. “Kujto, o Zot, mëshirën Tënde dhe mirësinë Tënde, sepse janë të përhershme.”
25 janar-mbrëmje
“Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.”
{#Romakëve 3:31}
Kur besimtari është i adoptuar në familjen e Zotit, marrëdhënia e tij me Adamin e vjetër dhe ligjin pushon menjëherë dhe ai gjendet nën një rregull të re dhe një besëlidhje të re. Besimtar, ti je fëmija i Perëndisë; është detyra jote e parë t’i bindesh Atit tënd qiellor. Fryma servile le të largohet prej teje; nuk je një skllav, por një fëmijë i Perëndisë dhe tani meqenëse je një fëmijë i dashur i Zotit, je i detyruar t’i bindesh dëshirës më të vogël të Atit tënd, shenjës më të vogël të vullnetit të Tij.
A të urdhëron të përmbushësh një urdhëresë të shenjtë? Është e rrezikshme për ty ta lësh pas dore, sepse në këtë mënyrë do të ishe i pabindur ndaj Atit tënd. A të urdhëron të kërkosh imazhin e Jezusit? A nuk është gëzimi yt të bësh kështu? A të thotë Jezusi,” Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej?” Atëherë, jo sepse ligji urdhëron, por sepse Shpëtimtari urdhëron, do të punosh për të qenë i përkryer në shenjtëri. A i urdhëron shenjtorët e Tij të duan njeri tjetrin? Bëje këtë, jo sepse ligji thotë, “Duaje të afërmin tënd,” por sepse Jezusi thotë, “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia;” dhe ky është urdhërimi që Ai ju ka dhënë, “ta doni njëri tjetrin.” A ju thuhet t’i shpërndani ndihma të varfërve? Bëje këtë jo sepse bamirësia është një barrë që nuk guxon ta shmangësh, por sepse Jezusi të mëson, “Jepi atij që të kërkon.” A thotë Fjala, “Duaje Perëndinë me gjithë zemrën tënde?” Shiko urdhëresën dhe përgjigju, “Ah! Krishti e ka plotësuar tashmë—nuk kam nevojë atëherë ta përmbush për shpëtimin tim, por gëzohem t’i bindem sepse Perëndia është Ati im tani dhe ka të drejta mbi mua, që nuk do t’i vë në mëdyshje.” Fryma e Shenjtë i bëftë zemrat tuaja të bindura ndaj fuqisë shtrënguese të dashurisë së Krishtit, që lutja juaj të jetë, “Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.” Hiri është nëna dhe mëndesha e shenjtërisë dhe jo justifikim i mëkatit.
26 janar-mëngjes
“Ati juaj qiellor.”
{#Mateu 6:26}
Njerëzit e Perëndisë janë dyfish fëmijët e Tij, ata janë krijesat dhe bijtë e Tij me anë të adoptimit në Krishtin. Kështu që ata janë të privilegjuar ta quajnë Atë, “Ati ynë që je në qiell.” At! Oh, çfarë fjalë e çmueshme që është. Këtu ka autoritet: “Nëse jam At, ku është vallë nderi që më takon?” Nëse jeni bij, ku është bindja juaj? Këtu ka zemërdashuri të përzier me autoritet; një autoritet që nuk provokon rebelim; bindja që kërkohet jepet me shumë gëzim—dhe që nuk do të zmbrapsej edhe sikur të kishte arsye për një gjë të tillë. Bindja me të cilën fëmijët e Perëndisë i dorëzohen Atij duhet të jetë një bindje e dashur.
Mos shkoni në shërbimin e Perëndisë si skllevër në punën e rëndë të zotërve të tyre, por lëshohuni në udhën e urdhërimeve të Tij, sepse është udha e Atit tuaj. Jepni trupat tuaj si instrumente drejtësie, sepse drejtësia është vullneti i Atit tuaj dhe vullneti i Tij duhet të jetë vullneti i fëmijëve të Tij. At!—këtu ka atribut mbretëror kaq ëmbëlsisht të veshur me dashuri, sa kurora e Mbretit harrohet përpara Tij dhe skeptri i Tij bëhet jo një shufër hekur, por një skeptër i argjendtë mëshire—me të vërtetë që skeptri sikur harrohet në dorën e butë të Atij që e mban atë. At!—këtu ka nder dhe dashuri. Sa e madhe që është dashuria e Atit për fëmijët e Tij! Atë që miqësia nuk mund ta bëjë dhe bamirësia e thjeshtë as që do të përpiqej ta bënte, zemra dhe dora e një ati duhet ta kryejë për bijtë e tij. Ata janë fëmijët e Tij, Ai duhet t’i bekojë; ata janë fëmijët e Tij, duhet ta tregojë veten të fortë në mbrojtjen e tyre. Nëse një at tokësor i ruan fëmijët e tij me dashuri dhe kujdes të vazhdueshëm, aq më tepër Ati ynë qiellor! Aba, At! Ai që mund të thotë këtë, ka shqiptuar muzikë më të lartë se sa kerubinët dhe serafinët. Ka qiell në thellësinë e kësaj fjale—At! Ka gjithçka që mund të kërkoj; gjithçka që nevojat e mia mund të kërkojnë, që të gjitha dëshirat e mia mund të dëshirojnë. Kam gjithçka në gjithçka për gjithë përjetësinë ndërsa mund të them, “At.”
26 janar-mbrëmje
“Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan.”
{#Lluka 2:18}
Ne nuk duhet të pushojmë prej së mrekulluari me mrekullitë e mëdha të Perëndisë tonë. Do të ishte tepër e vështirë të hiqje një vijë midis një të mrekulluari të shenjtë dhe një adhurimi të vërtetë, sepse kur shpirti është i pllakosur prej madhështisë së lavdisë së Perëndisë, edhe pse ndoshta nuk mund ta shprehë me këngë, ose nuk mund të nxjerrë zë në lutje të përulur, prapëseprapë adhuron pa zhurmë. Perëndia ynë i mishëruar duhet të adhurohet si “I Mrekullueshmi.” Është me të vërtetë e mrekullueshme, që Perëndia merr në konsideratë krijesën e Tij të rënë, njeriun, dhe në vend që ta fshijë me fshesën e shkatërrimit, ndërmerr të jetë Shpenguesi i tij dhe të paguajë çmimin e tij të shpengimit! Por për çdo besimtar shpengimi është tejet i mrekullueshëm teksa ai e konsideron në lidhje me vetveten.
Është me të vërtetë një mrekulli e hirit që Jezusi braktisi fronet dhe privilegjet lart, për të vuajtur me dhembje poshtë për ty. Lëre shpirtin të mrekullohet, sepse mahnitja është në këtë gjë një emocion shumë praktik. Të mrekulluarit e shenjtë do të të udhëheqë në një adhurim mirënjohës dhe falënderim me zemër. Do të prodhojë brenda teje vigjilencë të përshpirtshme; do të kesh frikë të mëkatosh kundër një dashurie të tillë si kjo. Duke ndjerë praninë e Perëndisë të fuqishëm në dhuratën e Birit të Tij të shtrenjtë, do të heqësh këpucët nga këmbët, sepse vendi ku qëndron është një tokë e shenjtë. Në të njëjtën kohë do të udhëhiqesh në një shpresë të lavdishme. Nëse Jezusi ka bërë gjëra të tilla të mrekullueshme për ty, do të ndjesh se vetë qielli nuk është tepër i madh për pritshmërinë tënde. Kush vallë mund të mahnitet prej ndonjë gjëje nëse ka qenë një herë i mahnitur te grazhdi dhe te kryqi? Çfarë mbetet tjetër e mrekullueshme mbasi dikush ka parë Shpëtimtarin? Lexues i shtrenjtë, mund të jetë se prej qetësisë dhe vetmisë së jetës tënde zor se mund të ndjekësh shembullin e barinjve të Betlehemit, që folën për ç’ka kishin parë dhe dëgjuar, por ti mund, së paku, të mbushësh rrethin e adhuruesve përpara fronit, duke u mrekulluar me atë që Perëndia ka bërë.
27 janar-mëngjes
“Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë (plotësisë) së Tij, hir mbi hir.”
{#Gjoni 1:16}
Këto fjalë na thonë se ka plotësi në Krisht. Ka plotësi të një Hyjnie thelbësore, sepse “tek Ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” Ka plotësi të një qenie njerëzore të përkryer, sepse në Të, trupërisht, Hyjnia u shfaq. Ka plotësi shpengimi të efektshëm në gjakun e Tij, sepse “gjaku i Jezu Krishtit, Birit të Tij, na pastron nga çdo mëkat.” Ka plotësi drejtësie justifikuese në jetën e Tij, sepse “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.” Ka plotësi mbizotërimi hyjnor në deklaratën e Tij,” sepse “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të Tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” Ka plotësi fitore në vdekjen e Tij, sepse me anë të vdekjes shkatërroi atë që pati pushtetin e vdekjes, djallin. Ka plotësi efektshmërie në ringjalljen e Tij prej së vdekuri, sepse në këtë mënyrë “jemi rilindur për një shpresë të gjallë.”
Ka plotësi triumfi në ngritjen e Tij, sepse “Ai u ngjit lart, Ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve.” Ka plotësi bekimesh të çdo lloji dhe forme; plotësi hiri për të falur, plotësi hiri për të ripërtëritur, plotësi hiri për të shenjtëruar, plotësi hiri për të ruajtur, plotësi hiri për të përkryer. Ka plotësi në çdo kohë; plotësi ngushëllimi në pikëllim; plotësi udhëheqje në begati. Plotësi të çdo atributi hyjnor, urtësie, pushteti, dashurie; një plotësi që do të ishte e pamundur ta këqyrësh, aq më shumë ta hulumtosh. “Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia.” Oh, çfarë plotësie duhet të jetë kjo prej të cilës të gjithë marrin! Plotësi me të vërtetë duhet të ketë kur burimi është duke rrjedhur gjithmonë dhe prapëseprapë burimi gufon po aq falas, i pasur dhe i plotë sa përherë. Eja besimtar dhe kënaq gjithë nevojat e tua; kërko plot dhe do të marrësh plot, sepse kjo “plotësi” është e pashtershme dhe është e mbledhur si thesar atje ku të gjithë nevojtarët mund ta arrijnë, në Jezusin, Emanuel—Perëndia me ne.
27 janar-mbrëmje
“Por Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e vet.”
{#Lluka 2:19}
Kishte një ushtrim, nga ana e kësaj gruaje të bekuar, të tre fuqive të qenies së saj; memoria e saj—ajo i ruante të gjitha këto fjalë; ndjenjat e saj—ajo i ruante në zemrën e saj; intelekti i saj—ajo i meditonte; kështu që memoria, ndjenja dhe kuptimi, të tre u ushtruan në lidhje me gjërat që pati dëgjuar. I dashur, kujto ç’ke dëgjuar në lidhje me Zotin tënd Jezus dhe atë ç’ka bërë për ty; bëje zemrën tënde kupën e artë me mana ku ruan memorialin e bukës qiellore me të cilën je ushqyer në ditët e kaluara. Lëre memorien tënde të grumbullojë çdo gjë në lidhje me Krishtin që ke ndjerë, njohur ose besuar dhe më pas ndjenjat e tua të dashura le ta mbërthejnë Atë fort akoma më tepër. Duaje personin e Zotit tënd! Sill enën prej alabastri të zemrës tënde, edhe sikur të jetë e thyer dhe lër të gjithë vajosjen e çmueshme të zemërdashurisë tënde të derdhet në këmbët e Tij të tejshpuara.
Lëre intelektin tënd të ushtrohet në lidhje me Zotin Jezus. Përsiat në lidhje me atë që lexon; mos ndalo në sipërfaqe; zhyty në thellësi. Mos ji si dallëndyshja që prek përroin me krahun e saj, por ji si peshku që depërton në valën më të thellë. Rri me Zotin tënd; mos të jetë si një shtegtar, që qëndron për një natë, por shtrëngoje duke thënë, “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Mbaje dhe mos e lër të shkojë. Fjala “meditoj,” do të thotë të peshosh. Bëj gati peshoret e gjykimit. Oh, po ku janë masat që mund të peshojnë Zotin Krisht? “Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, Ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.” Kush do ta peshojë vallë? Kush ka vënë në peshore malet dhe kodrat? Mbi çfarë peshoresh mund ta peshojmë vallë? Kështu është, nëse kuptimi juaj nuk mund të kuptojë, lërini ndjenjat e juaja të kuptojnë; dhe nëse fryma juaj nuk mund ta kapë Zotin Jezus në të kuptuar, le ta përqafojë në krahët e zemrës.
28 janar-mëngjes
“Të përsosur në Jezu Krishtin.”
{#Kolosianët 1 :28}
A nuk e ndjen në vetë shpirtin tënd se përsosmëria nuk gjendet në ty? A nuk ta mëson këtë vallë e përditshmja? Çdo lot që rrjedh prej syrit tënd, qan “papërsosmëri”; çdo psherëtimë që shpërthen prej zemrës tënde, thërret “papërsosmëri”; çdo fjalë e vrazhdë që del prej buzëve të tua, shqipton “papërsosmëri.” Ke pasur tepër shpesh një pamje të vetë zemrës tënde për të ëndërruar edhe për një çast për ndonjë përsosje brenda teje. Mirëpo mes këtij ndërgjegjësimi të papërsosmërisë, këtu ka ngushëllim për ty—je i “përsosur në Jezu Krishtin”. Në sytë e Perëndisë, “ke marrë plotësinë në Të”; madje edhe tani je “i pëlqyer në të dashurin Birin e Tij.” Mirëpo ka një përsosje të dytë që mbetet për t’u përmbushur, e sigurtë për të gjithë trashëgimtarët. A nuk është e mrekullueshme të shikosh përpara për atë kohë kur çdo njollë mëkati ka për t’u hequr prej besimtarit dhe ai do të paraqitet i pametë përpara fronit, pa njollë rrudhë ose ndonjë gjë të tillë të ngjashme? Kisha e Krishtit do të jetë atëherë kaq e pastër, sa as dhe syri i Gjithëdijes nuk do të shikojë ndonjë njollë ose cen në të; kaq e shenjtë dhe kaq e lavdishme, sa Harti nuk shkoi përtej të vërtetës kur tha—
Me petkat e Shpëtimtarit tim veshur
I shenjtë si i Shenjti.
Atëherë do të njohim, do të shijojmë dhe ndjejmë lumturinë e këtyre fjalëve të gjera edhe pse të shkurtra, “të përsosur në Jezu Krishtin.” Deri atëherë ne nuk do të kuptojmë dot plotësisht lartësitë dhe thellësitë e shpëtimit të Jezusit. A nuk kërcen prej gëzimit zemra jote nga një mendim i tillë? I zi ashtu si je, një ditë do të jesh i bardhë; i fëlliqur si je, do të jesh i pastër. Oh, ky është një shpëtim i mrekullueshëm! Krishti merr një krimb dhe e transformon në engjëll; Krishti merr një gjë të zezë e të shformuar dhe e bën të pastër dhe të pashoq në lavdinë e saj, të pakrahasueshme në bukurinë e saj dhe e përshtatshme për shoqërinë e serafinëve. O shpirti im, qëndro dhe admiro këtë të vërtetë të bekuar të përsosjes në Krisht.
28 janar-mbrëmje
“Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.” {#Lluka 2:20}
Cili ishte subjekti i lavdisë së tyre? Ata lavdëruan Perëndinë për ç’ka kishin dëgjuar—për sihariqin se një Shpëtimtar kishte lindur. Le të bëjmë njësoj si ata; po ashtu edhe ne, le të ngremë një këngë falënderimi se edhe ne kemi dëgjuar për Jezusin dhe shpëtimin e Tij. Ata lavdëruan gjithashtu Perëndinë për ç’ka kishin parë. Këtu është muzika më e ëmbël—atë që kemi përjetuar, atë që kemi ndjerë përbrenda, atë që kemi bërë tonën—“ O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona.” Nuk mjafton të dëgjosh për Jezusin; dëgjimi i thjeshtë mund të akordojë harpën, por gishtat e besimit të gjallë duhet të krijojnë muzikën. Nëse ke parë Jezusin me shikimin e besimit që jep Perëndia, mos lejo pëlhurë merimange të varet mes telave të harpës, por lavdëro me zë të lartë hirin sovran, zgjo instrumentet e tua.
Një arsye se pse ata lavdëruan Perëndinë ishte përputhja midis ç’ka kishin dëgjuar dhe ç’ka kishin parë. Vini re fjalinë e fundit—”ashtu si u ishte thënë atyre.” A nuk ju është dukur ungjilli përbrenda jush ashtu si Bibla ka thënë se do të jetë? Jezusi tha se do t’u japë prehje—a nuk keni gëzuar vallë në Të paqen më të ëmbël? Ai tha se do të keni gëzim, ngushëllim dhe jetë duke besuar në Të—a nuk i keni marrë të gjitha këto gjëra? A nuk janë rrugët e Tij rrugë të këndshme dhe shtigjet e Tij shtigje paqe? Me siguri që do të thoni bashkë me mbretëreshën e Shebës, “as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë.” Krishti më është dukur më i ëmbël se ç’kanë folur shërbëtorët e Tij. Vështrova shëmbëlltyrën e Tij ashtu siç ata e kishin pikturuar, por ishte thjesht një shkarravinë e krahasuar me vetë Atë, sepse Mbreti në bukurinë e Tij tejkalon çdo dashamirësi të përfytyrueshme. Me siguri që ç’kemi parë ecën krah për krah, jo, madje ia kalon asaj ç’kemi dëgjuar. Atëherë le të përlëvdojmë dhe të lavdërojmë Perëndinë për një Shpëtimtar kaq të shtrenjtë dhe kaq të kënaqshëm.
29 janar-mëngjes
“Gjërat që nuk shihen.”
{#2 Korintasve 4:18}
Në shtegtimin tonë të krishterë është mirë, në pjesën më të madhe, të shikojmë përpara. Përpara gjendet kurora dhe para është qëllimi. Qoftë për shpresë, për gëzim për ngushëllim ose për frymëzimin e dashurisë sonë, e ardhmja, fundi i fundit, duhet të jetë qëllimi i madh i syrit të besimit. Duke parë në të ardhmen ne shikojmë mëkatin të nxjerrë jashtë, trupin e mëkatit dhe të vdekjes të shkatërruar, shpirtin të bërë të përsosur dhe i përshtatshëm për të pasur pjesë në trashëgiminë e dritës të shenjtorëve. Duke parë më tej akoma, syri i ndriçuar i besimtarit mund të shikojë tek kapërcen lumin e vdekjes, tek kalon rrymën e zymtë dhe arrin kodrat e dritës mbi të cilat qëndron qyteti qiellor; e shikon veten të hyjë mes dyerve prej perlash, i përshëndetur si më shumë se fitimtar, i kurorëzuar prej dorës së Krishtit, i përqafuar në krahët e Jezusit, i lavdëruar me Të dhe ulur bashkë me Të në fronin e Tij, po ashtu si Ai mposhti dhe u ul me Atin në fronin e Tij.
Mendimi i kësaj të ardhme mund të lehtësojë më së miri errësirën e së kaluarës dhe zymtinë e së tashmes. Gëzimet e qiellit me siguri që do të kompensojnë hidhërimet e tokës. Heshtni ju frikërat e mia! kjo botë nuk është veçse një distancë e shkurtër dhe së shpejti do ta kalosh. Heshtni, heshtni ju dyshimet e mia! vdekja nuk është veçse një lum i ngushtë dhe së shpejti do ta kesh kaluar. Koha, sa e shkurtër—përjetësia, sa e gjatë! Vdekja, sa e shkurtër—pavdekshmëria, sa e pafundme! Më duket se edhe tani po ha prej vileve të Eshkolit dhe po pi prej burimit që është brenda portës. Kështu është rruga, kaq e shkurtër! Së shpejti do të jem atje.
Kur bota zemrën time po gris
Me stuhinë e saj më të rëndë të merakut,
Mendimet e mia të lumtura në qiell lart
Prej dëshpërimit Gjejnë një strehë.
Vizioni i ndritur i besimit do të më mbështesë
Derisa shtegtimi i jetës të ketë kaluar;
Frika mund të mundojë dhe telashi të dhëmbë,
Por së fundmi në shtëpinë time do arrij.
29 janar-mbrëmje
“Dhe pëllumbi u kthye tek ai aty nga mbrëmja.”
{#Zanafilla 8:11}
I bekuar qoftë Zoti për një tjetër ditë mëshire edhe pse tani jam i lodhur në punët e Tij. Këngën time të mirënjohjes ia ngre rojtarit të njerëzve. Pëllumbi nuk gjeti prehje jashtë arkës dhe prandaj u kthye mbrapsht; dhe shpirti im ka mësuar, këtë ditë, akoma më plotësisht se kurrë se në gjërat tokësore nuk gjendet kënaqësi—Vetëm Perëndia mund t’i japë çlodhje frymës sime. Përsa i përket punës sime, zotërimeve të mia, familjes sime, arritjeve të mia, këto janë mirë fort, por ato nuk mund të përmbushin dëshirat e natyrës sime të pavdekshme. “Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.” Ishte në një kohë qetësie, kur portat e ditës po mbylleshin, që me krahë të lodhur pëllumbi u kthye te i zoti; O Zot, më mundëso këtë mbrëmje të kthehem te Jezusi.
Pëllumbi nuk mund të duronte dot të kalonte një natë duke fluturuar mbi hapësirën e lëvizshme, po ashtu dhe unë nuk mund të duroj të jem edhe për një orë tjetër larg prej Jezusit, prehja e zemrës sime, shtëpia e frymës sime. Pëllumbi nuk u ul thjesht mbi çatinë e arkës, ai “u kthye tek ai;” po ashtu fryma ime e përmalluar dëshiron të vështrojë në sekretet e Zotit, të zhbirojë brendësinë e së vërtetës, të depërtojë në atë që është brenda velit dhe të arrijë me të vërtetë te i Shumëdashuri im. Duhet të kthehem tek Jezusi; fryma ime gulçuese nuk mund të qëndrojë dot pa një marrëdhënie më të afërt dhe më të ngushtë me Të. Zoti Jezus i bekuar, ji me mua, m’u zbulo dhe qëndro me mua gjithë natën, kështu që kur të zgjohem të jem akoma me Ty. Vëre se pëllumbi solli në sqepin e tij një degë ulliri të shkulur, përkujtimin e ditës së kaluar dhe profecinë e së ardhmes. A nuk kam ndonjë kujtim të këndshëm për të sjellë në shtëpi? Asnjë zotim dhe kapar dashamirësie për të ardhmen? Po, Zoti im, të paraqes rrëfimet e mia mirënjohëse për mëshirat e ëmbla që kanë qenë të reja çdo mëngjes dhe të freskëta çdo mbrëmje; dhe tani, të lutem, shtri dorën dhe merre pëllumbin tënd në kraharorin Tënd.
30 janar-mëngjes
“Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm.”
{#2 Samueli 5 :24}
Pjesëtarët e kishës së Krishtit duhet të luten shumë, duke kërkuar gjithmonë vajosjen e Të Shenjtit duke qëndruar në zemrat e tyre, në mënyrë që mbretëria e Krishtit të mund të vijë dhe që “të bëhet vullneti i Tij në tokë si në qiell”, por ka kohëra kur Perëndia duket se e favorizon veçanërisht Sionin, periudha të tilla duhet të jenë për ta ashtu si “një zhurmë hapash në majat e Balsamit.” Atëherë ne duhet të lutemi dyfish, të jemi dyfish të zellshëm, duke luftuar më shumë te froni nga sa kemi bërë deri tani. Veprimi duhet të jetë atëherë i menjëhershëm dhe i fuqishëm. Batica po vjen—le t’i drejtohemi me trimëri bregut. Oh le të mbushemi me Frymën e Shenjtë dhe me frytin e Tij. I krishterë, brenda teje ka momente “kur dëgjon zhurmë hapash në majat e Balsamit.” Ke një fuqi të veçantë në lutje; Fryma e Perëndisë të jep gëzim dhe hare; Shkrimi është i hapur për ty; premtimet përjetohen; ecën nën dritën e fytyrës së Perëndisë; ke liri të veçantë, liri në përkushtim dhe shoqërim më të ngushtë me Krishtin nga ç’je mësuar zakonisht. Tani, në periudha të tilla të gëzueshme kur dëgjon ” një zhurmë hapash në majat e Balsamit” është koha të hidhesh në sulm; tani është koha të heqësh qafe çdo zakon të lig, ndërsa Perëndia Fryma të ndihmon në dobësitë e tua. Shpalos velat, por kujto atë që këndon herë pas here—
Mund vetëm të shpalos velat;
Ti!Ti! duhet të sjellësh erën e mbarë.
Veçse sigurohu që ke shpalosur velat. Mos e humb erën prej mungesës së përgatitjes për të. Kërko ndihmën e Perëndisë, që të jesh më i zellshëm në detyrë, ndërsa je forcuar në besim; që të jesh më i rregullt në lutje, ndërsa ke më tepër liri te froni; që të jesh më i shenjtë në jetën tënde, ndërsa jeton më ngushtë me Krishtin.
30 janar-mbrëmje
“Në Të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi.”
{#Efezianët 1 :11}
Kur Jezusi dha veten e Tij për ne, Ai na dha të gjitha të drejtat dhe privilegjet që i përkasin; kështu që tani, edhe pse si Perëndia i përjetshëm, Ai ka të drejta thelbësore të cilat asnjë krijesë nuk mund të guxojë të pretendojë, prapëseprapë si Jezusi, Ndërmjetësi, kreu përbashkues i besëlidhjes së hirit, Ai nuk ka trashëgimi tjetër përveç nesh. Të gjitha rrjedhojat e lavdishme të bindjes së Tij deri në vdekje janë pasuritë e përbashkëta të gjithë atyre që janë në Të dhe për të cilët Ai përmbushi vullnetin hyjnor. Shiko, Ai hyn në lavdi, por jo vetëm për veten e Tij, sepse është shkruar, “Krishti ka hyrë si pararendës për ne.” {#Hebrenjve 6 :20} A qëndron Ai në praninë e Perëndisë?—”Ai del tani përpara Perëndisë për ne.” {#Hebrenjve 9 :24}
Merr në konsideratë këtë gjë besimtar. Në vetvete nuk ke të drejtën për të hyrë në parajsë; e drejta jote qëndron në Krisht. Nëse je i falur, është nëpërmjet gjakut të Tij; nëse je i drejtësuar, është përmes drejtësisë së Tij; nëse je i shenjtëruar, është sepse Perëndia e bëri Krishtin për ty shenjtërim; nëse ruhesh prej rënies është sepse je i ruajtur në Krishtin Jezus; dhe nëse në fund fare je i përsosur është sepse je i përsosur në Të. Kështu Jezusi është i madhëruar—sepse gjithçka është në Të dhe me anë Tij; kështu trashëgimia na është siguruar, sepse është e fituar në Të; kështu që çdo bekim është më i ëmbël dhe vetë qielli më i shkëlqyeshëm, sepse është Jezusi i Shumëdashuri ynë dhe “në Të” kemi fituar gjithçka. Kush është ai që do të llogariste riskun tonë qiellor? Llogarit pasuritë e Krishtit dhe thesaret e Tij, por më pas mos harro të llogaritësh thesaret që i përkasin shenjtorëve. Shko deri në fundin e detit të gëzimit të Krishtit dhe vetëm atëherë shpreso të kuptosh lumninë që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë. Kalo kufijtë e zotërimeve të Krishtit dhe më pas vetëm atëherë ëndërro për një kufi të trashëgimisë së pastër të të zgjedhurit. “Të gjitha gjërat janë tuajat, dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.”
31 janar-mëngjes
“Zoti drejtësia jonë.”
{#Jeremia 23:6}
Të menduarit për drejtësinë e përsosur të Krishtit do t’i japë të krishterit gjithmonë një qetësi, paqe dhe lehtësim të madh. Sa shpesh që shenjtorët e Perëndisë janë zemërlëshuar dhe të trishtuar! Nuk mendoj se duhet të jenë të tillë. Nuk mendoj se do të ishin të tillë nëse do të mundnin të shikonin përherë përsosjen e tyre në Krisht. Ka disa që flasin përherë në lidhje me korruptimin, prishjen e zemrës dhe ligësinë e lindur të shpirtit. Kjo është e vërtetë, por pse të mos shkojmë pak më tutje dhe të kujtojmë se jemi “të përsosur në Jezu Krishtin.” Nuk është për t’u habitur se ata që po qëndrojnë mbi vetë korruptimin e tyre veshin shikime të tilla të pikëlluara, por me siguri nëse kujtojmë se “Krishti Jezus u bë për ne drejtësi,” ne do të gëzohemi.
Edhe çfarë pastaj nëse vuajtjet më trishtojnë, edhe pse satanai më sulmon, edhe pse mund të ketë shumë gjëra për t’u përjetuar përpara se të shkoj në qiell, ato janë të kryera për mua në besëlidhjen e hirit hyjnor; nuk ka asgjë që mungon në Zotin tim, Krishti ka kryer gjithçka. Në kryq Ai tha, “u krye!” dhe nëse gjithçka është kryer, atëherë jam i përsosur në Të dhe mund të gëzohem me gëzim të pashprehshëm dhe plot me lavdi, “duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit.” Nuk do të gjeni në këtë anë të qiellit njerëz më të shenjtë se ata që marrin në zemrat e tyre drejtësinë e Krishtit. Kur besimtari thotë, “Jetoj vetëm në Krishtin, prehem vetëm në Të për shpëtim; dhe besoj se sado i pavlerë, jam akoma i shpëtuar në Jezusin;” atëherë ja ku ngrihet si një motiv mirënjohjeje ky mendim—”A nuk do të jetoj vallë për Krishtin? A nuk do ta dua Atë dhe t’i shërbej Atij, duke parë se jam i shpëtuar me anë të meritave të Tij?” “Dashuria e Krishtit na shtrëngon”, “me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq për ta.” Nëse jemi të shpëtuar me anë të drejtësisë që na është numëruar, atëherë do të vlerësojmë tej mase drejtësinë që na është përçuar.
31 janar-mbrëmje
“Atëherë Ahimatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi Etiopasin.”
{#2 Samuel 18:23}
Të vraposh nuk është gjithçka, por është shumë e rëndësishme rruga që përzgjedhim; një këmbë e shpejtë mbi kodër dhe poshtë në luginë nuk përparon njësoj me një shtegtar më të ngadaltë që ecën mbi tokë të sheshtë. Si është vallë me udhëtimin tim shpirtëror, a jam duke u stërmunduar mbi kodrën e vetë veprave të mia dhe poshtë në përroskën e vetë përuljeve dhe vendimeve të mia, apo po vrapoj nëpër rrugën e fushës “Beso dhe jeto?” Sa gjë e bekuar që është të presësh Zotin me të anë besimit! Shpirti vrapon pa u lodhur dhe ecën pa u mekur në udhën e besimit. Krishti Jezus është udha e jetës dhe Ai është një udhë e sheshtë, një udhë e këndshme, një udhë e përshtatshme për këmbët e lëkundura dhe gjunjët e dobët të mëkatarëve të dridhur; a jam në këtë udhë, apo jam duke ndjekur një gjurmë tjetër ashtu si dredhitë e klerit ose metafizika do të mund të më premtonin?
Lexoj në lidhje me udhën e shenjtërisë se ai që ecën aty, edhe sikur të ishte i pamend nuk do të hallakatej; a jam çliruar prej arsyetimit krenar dhe a jam sjellë si një fëmijë i vogël të prehem në gjakun dhe dashurinë e Jezusit? Nëse kështu, me anë të hirit të Perëndisë do t’ia kaloj vrapuesit më të fortë, por që ka zgjedhur një tjetër shteg. Këtë të vërtetë mund ta kujtoj për dobinë time në shqetësimet dhe nevojat e mia të përditshme. Do të ishte rruga ime më e zgjuar të shkoja menjëherë te Perëndia im dhe jo të hallakatem rreth e përqark tek ky apo tjetër mik. Ai i njeh nevojat e mia dhe mund t’i lehtësojë ato, kujt vallë tjetër mund t’i drejtohem përveçse Atij me anë të lutjes përgjëruese të drejtpërdrejtë dhe me anë të argumentit të drejtpërdrejtë të premtimit. “Të jem i drejtpërsëdrejtë më bën mua vrapuesin më të mirë.” Nuk do të flas me shërbëtorët, por do të nxitoj te i zoti i tyre. Duke lexuar këtë pjesë, më tërheq vëmendjen fakti se nëse njerëzit hahen me njeri tjetrin në çështje të zakonshme dhe njëri ia kalon tjetrit, duhet të kem zell solemn për të vrapuar në mënyrë që të fitoj. Zot më ndihmo të ngjesh ijët e mendjes sime dhe të mund të çaj përpara për çmimin e thirrjes sime qiellore të Perëndisë në Krishtin Jezus.