1 maj-mëngjes
“Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike.”
{#Kantiku i kantikëve 5 :13}
Ja, muaji i lulëzuar erdhi! Erërat e marsit dhe shirat e prillit bënë punën e tyre, dhe toka është e gjitha e stolisur me bukuri. Eja shpirti im, vishu me rrobat pranverore dhe shko përpara për të bërë kurora mendimesh qiellore. Ti e di ku të shkosh sepse i njeh mirë “lehet e balsamit,” dhe kaq shpesh ke nuhatur parfumin e ëmbël të luleve sa do të shkosh menjëherë te i Shumëdashuri yt dhe të gjesh çdo dashuri, çdo gëzim në Të. Ajo faqe një herë kaq ashpër e goditur me një fshikull, shpesh e njomur me lot zemërdhembshurie dhe më pas e ndotur me pështymë—ajo faqe teksa rrezaton mëshirë është si një aromë erëmirë për zemrën time. Ti nuk ia fshehe fytyrën tënde poshtërimit dhe të pështyrave, O Zoti Jezus dhe prandaj do të gjej ëndjen time më të madhe duke të të lavdëruar.
Ato faqe u çanë prej plugut të dhembjes dhe u kuqëluan me vijat e kuqe të gjakut që binin prej tëmthave të Tua të kurorëzuara me gjemba; të tilla shenja dashurie të pakufishme nuk mund veç të magjepsin shpirtin tim shumë më tepër se “aromat më të përzgjedhura.” Nëse nuk mund të shikoj të gjithë fytyrën e Tij do të shikoj faqet e Tij, sepse vështrimi më i vogël i Tij është tepër freskues për ndijimin tim shpirtëror dhe lëshon një shumëllojshmëri kënaqësish. Në Jezusin gjej jo vetëm një lehe balsami, por lehe barërash aromatike; jo një lule, por çdo lloj lule erëmirë. Ai është për mua trëndafili dhe zambaku im, lehtësimi i zemrës sime dhe kamfuri im. Kur Ai është me mua është Maj gjatë gjithë vitit dhe shpirti im shkon përpara për të larë fytyrën e tij të lumtur në vesën mëngjesore të hirit të Tij, dhe për t’u ngushëlluar me këngën e zogjve të premtimeve të Tij. Zot Jezus i çmuar, më lër që në çdo vepër të njoh bekimin e shoqërimit të pandërprerë dhe të vazhdueshëm me Ty. Jam një i pavlerë dhe Ti ke begenisur të më puthësh në faqe! O me lejo të të puth me mirënjohje me puthjet e buzëve të mia.
1 maj-mbrëmje
“Unë jam trëndafili i Sharonit.”
{#Kantiku i kantikëve 2 :1}
Çfarë do gjë të bukur që mund të ketë në botën materiale, Jezu Krishti zotëron të gjithë këtë dhjetë herë më shumë në botën shpirtërore. Midis luleve, trëndafili vlerësohet si më i hijshmi, por Jezusi është pafundësisht më i bukur në kopshtin e shpirtit se sa trëndafili në kopshtet e tokës. Ai zë vendin e parë si më i hijshmi midis dhjetë mijë. Ai është dielli dhe të gjithë të tjerët janë yjet; qiejt dhe dita janë të errët në krahasim me Të, sepse Mbreti në bukurinë e Tij është mbi gjithçka. “Jam trëndafili i Sharonit.” Ky ishte më i miri dhe më i rralli i trëndafilave. Jezusi nuk është vetëm “trëndafili”, Ai është “trëndafili i Sharonit,” po ashtu siç Ai e quan drejtësinë e Tij “ar,” dhe më pas shton, “ari i Ofirit,”—më i miri i më të mirës. Ai është me të vërtetë i dashur dhe më i dashuri mbi çdo gjë tjetër.
Ka shumëllojshmëri në hijeshitë e Tij. Trëndafili është i kënaqshëm për syrin dhe aroma e tij është e këndshme dhe freskuese; po ashtu edhe secila prej shqisave të shpirtit, qoftë shija apo ndjesia, dëgjimi, shikimi ose nuhatja shpirtërore, gjen kënaqësinë e duhur në Jezus. Edhe kujtimi i dashurisë së Tij është erëmirë. Merr trëndafilin e Sharonit dhe hiq petalet një nga një dhe ruaji petalet në vazon e kujtesës dhe çdo petale do të kundërmojë për shumë kohë më pas duke mbushur shtëpinë me parfum. Krishti kënaq deri në plotësi shijen më fine të frymës më të edukuar. Amatori më i madh në aroma është i kënaqur me trëndafilin dhe kur shpirti ka arritur në shkallën më të lartë të shijes së vërtetë, përsëri do të jetë i kënaqur me Krishtin, madje do ta vlerësojë akoma më shumë. Qielli vetë nuk zotëron asgjë që ia tejkalon trëndafilit të Sharonit. Cila emblemë mund të tregojë bukurinë e Tij? Fjalimi njerëzor dhe gjërat e kësaj toke dështojnë ta përshkruajnë. Hijeshitë e përziera më të zgjedhura të tokës, e paraqesin dobët se sa i çmuar është. Trëndafil i bekuar, lulëzo përherë në zemrën time!
2 maj-mëngjes
“Unë nuk kërkoj që ti t`i heqësh nga bota, por që ti t`i mbrosh nga i ligu.”
{#Gjoni 17:15}
Është një ngjarje e bekuar dhe e ëmbël që do t’i ndodhë të gjithë besimtarëve në kohën që ka zgjedhur Perëndia—banimi me Jezusin. Mbas ca vitesh më shumë, ushtarët e Zotit që po luftojnë tani “luftën e drejtë të besimit” do ta kenë përfunduar betejën dhe do të kenë hyrë në gëzimin e Zotit të tyre. Por edhe pse Krishti lutet që njerëzit e Tij mundësisht të jenë me Të atje ku Ai është, Ai nuk kërkon që të merren menjëherë prej kësaj bote për në parajsë. Ai dëshiron që të qëndrojnë këtu. Prapëseprapë sa shpesh që shtegtari i lodhur ngre lart lutjen, “Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje;” por Krishti nuk lutet kështu, Ai na lë në duart e Atit të Tij, derisa, si duaj gruri i pjekur plotësisht, do të mblidhemi secili në hambarin e Mjeshtrit tonë. Jezusi nuk lutet për heqjen tonë të menjëhershme me anë të vdekjes, sepse të qëndrosh në mish është e nevojshme për të tjerët dhe e dobishme për veten tonë. Ai kërkon që të ruhemi prej së ligut, por Ai kurrë nuk kërkon që të pranohemi për trashëgiminë në lavdi pa qenë në moshë të pjekur.
Të krishterët shpesh duan të vdesin kur kanë ndonjë telash. Pyeti përse dhe do të të thonë, “sepse do donim të ishim me Zotin.” Druajmë se nuk është dhe aq shumë sepse po dëshirojnë me zjarr që të jenë me Zotin se sa dëshirojnë të heqin qafe telashet e tyre; përndryshe do të ndjenin të njëjtën dëshire për të vdekur në kohëra të tjera ndërsa nuk janë nën trysninë e sprovës. Ata duan të shkojnë në shtëpinë qiellore, jo dhe aq për shoqërinë e Shpëtimtarit se sa për të qenë në prehje. Tani është një gjë e drejtë të dëshirosh të nisesh nëse mund ta shprehim në të njëjtën frymë si Pali, sepse të jesh me Krishtin është shumë më mirë, por dëshira për t’i shpëtuar telashit është një dëshirë egoiste. Përkundrazi, shqetësimi dhe dëshira jote qoftë lavdërimi i Perëndisë me anë të jetës që jeton këtu poshtë për aq gjatë sa i pëlqen, edhe pse qoftë në mes të punës së rëndë, konfliktit, vuajtjes dhe lërjani Atij të thotë se kur është “mjaft”.
2 maj-mbrëmje
“Të gjithë këta vdiqën në besim.”
{#Hebrenjve 11:13}
Shiko mbishkrimin në varrin e të gjithë atyre shenjtorëve të bekuar që ranë në gjumë përpara ardhjes së Zotit tonë! Nuk ka rëndësi se si vdiqën, qoftë në moshë të vjetër, ose në mënyrë të dhunshme; pika ku të gjithë pajtohen ia vlen më shumë për t’u shënuar, “të gjithë këta vdiqën në besim.” Në besim jetuan—ishte ngushëllimi, udhërrëfyesi, motivi dhe mbështetja e tyre; dhe në të njëjtin hir shpirtëror ata vdiqën, duke përfunduar këngën e jetës së tyre me melodinë e ëmbël që patën vazhduar për kaq gjatë. Ata nuk vdiqën duke u mbështetur te mishi ose te vetë arritjet e tyre; ata nuk u larguan nga rruga e tyre e parë e pranimit nga Perëndia, por e ruajtën rrugën e besimit deri në fund. Është po aq e çmuar të vdesësh në besim sa të jetosh në besim.
Të vdesësh në besim ka lidhje të qartë me të kaluarën. Ata besuan premtimet e bëra më parë dhe ishin të sigurtë se mëkatet e tyre ishin fshirë me anë të mëshirës së Perëndisë. Të vdesësh në besim ka të bëjë me të tashmen. Këta shenjtorë ishin besimplotë për pranimin e tyre nga Perëndia, ata gëzuan rrezet e dashurisë të Tij dhe u prehën në besnikërinë e Tij. Të vdesësh në besim shikon drejt të ardhmes. Ata ranë në gjumë, duke pohuar se Mesia do të vijë me siguri dhe se në ditët e fundit kur Ai do të shfaqet mbi tokë, ata do të ngrihen nga varret e tyre për ta parë. Për ta, dhembjet e vdekjes ishin veçse dhembjet e lindjes së një gjendje më të mirë. Merr zemër shpirti im, ndërsa lexon këtë mbishkrim në varrin e tyre. Ecja jote me anë të hirit, është ecje besimi dhe pamja e syrit rrallë se të gëzon; ky ka qenë gjithashtu shtegu i më të ndriturit dhe më të mirit. Besimi ishte orbita ku këto yje të mëdhenj lëvizën gjatë gjithë kohës së ndriçimit të tyre këtu; dhe lum ti për këtë besim. Shiko sërish te Jezusi sonte, kreu dhe plotësonjësi i besimit tonë dhe falënderoje Atë që të dha të njëjtin besim të çmuar me atë të shpirtrave tani në lavdi.
3 maj-mëngjes
“Në botë do të keni mundime.”
{Gjoni 16:33}
A po pyet për arsyen se pse është kështu, besimtar? Shiko lart te Ati yt qiellor dhe vështroje Atë si të pastër dhe të shenjtë. A e di se një ditë do të jesh si Ai? A do të jesh i ngjashëm lehtë me shëmbëlltyrën e Tij? A nuk ke nevojë për shumë rafinim në furrnaltën e mundimit për të të pastruar? A do të jetë një gjë e lehtë t’i heqësh qafe korruptimet e tua dhe të bëhesh i përkryer po ashtu si Ati yt që është në qiell është i përkryer? Më pas, i krishterë, kthe sytë për poshtë. A e di se çfarë armiqsh ke poshtë këmbës tënde? Një herë ishe një shërbëtor i satanait dhe asnjë mbret nuk do që të humbë subjektet e tij. A mendon se satanai do të të lërë të qetë? Jo, ai do të shqetësojë gjithmonë, sepse “djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.” Prandaj prit telashe pra i krishterë, ndërsa shikon poshtë.
Më pas shiko përreth teje. Ku je? Je në vendin e një armiku, një i huaj dhe një banor i përkohshëm. Bota nuk është miku yt. Nëse po, atëherë ti nuk je miku i Perëndisë, sepse ai që është miku i botës është armiku i Perëndisë. Ji i sigurtë se do të gjesh armiq kudo. Ndërsa fle, mendo se po prehesh në fushën e betejës; ndërsa po ecën, dysho për një kurth në çdo cep. Ashtu si thuhet se mushkonjat pickojnë të huajt më shumë se vendasit, po ashtu mundimet e kësaj bote do të jenë më të fuqishme për ty. Së fundmi, shiko brenda teje, në vetë zemrën tënde dhe vëre se çfarë ka atje. Mëkati dhe vetja jote janë akoma aty. Ah! Sikur të mos kishe djall për të të tunduar, armiq që të sulmojnë dhe botë për të zënë në kurth, do të gjeje akoma në veten tënde mjaft ligësi për të qenë një hall i rëndë për ty, sepse “zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.” Prit telashe pra, por mos u dëshpëro prej tyre, sepse Perëndia është me ty për të të ndihmuar dhe për të të forcuar. Ai ka thënë, “do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.”
3 maj-mbrëmje
“Një ndihmë gjithnjë e gatshme.”
{#Psalmi 46:1}
Bekimet e besëlidhjes nuk janë synuar veç për t’u parë, por edhe për t’u përvetësuar. Edhe Zoti ynë Jezus na është dhënë që ne t’i drejtohemi Atij menjëherë. Besimtar, ti nuk shkon te Krishti përherë. Kur je në telash, pse nuk i shpreh të gjithë hallin tënd? A nuk ka Ai vallë një zemër dashamirëse dhe a nuk mund të të ngushëllojë dhe të të lehtësojë? Jo, ti je duke shkuar te të gjithë miqtë e tu, përveç te Miku yt më i mirë dhe duke shprehur hallin tënd kudo, përveçse te kraharori i Zotit tënd. A je i ngarkuar me mëkatet e kësaj dite? Këtu ka një burim të mbushur me gjak; përdorë atë, i shenjtë, përdore atë. A po ndjen sërish një ndijim faji? Hiri falës i Jezusit mund të provohet përsëri dhe përsëri. Eja te Ai menjëherë për pastrim. A po vajton për shkak të dobësisë tënde? Ai është forca jote, pse mos të mbështetesh te Ai? A ndjehesh krejt i zhveshur? Eja këtu shpirt; vish rrobën e drejtësisë së Jezusit. Mos rri duke e vështruar, por vishe.
Zhvish vetë drejtësinë tënde dhe edhe frikërat e tua; vish të bardhën pëlhurë të hijshme, sepse ishte synuar për t’u veshur. A e ndjen veten të sëmurë? Bjeri ziles së natës së lutjes dhe thirr Mjekun tënd të dashur! Ai do të japë pijen tonike që do të rigjallërojë. Je i varfër, por ke “një të afërm, një njeri të fuqishëm dhe të pasur.” Çfarë! nuk do të shkosh te Ai dhe t’i kërkosh prej bollëkut të Tij ndërsa Ai të ka premtuar se do të jesh bashkëtrashëgimtar me Të dhe të ka lënë trashëgim gjithçka që Ai është dhe gjithçka që ka? Krishtit nuk i pëlqen aspak kur njerëzit e Tij nuk e vlerësojnë dhe nuk i drejtohen për ndihmë. Ai do shumë që të vihet në lëvizje prej nesh. Aq më shumë barra vendosim mbi supet e Tij aq më i çmuar Ai do të jetë për ne.
Le të jemi pra të thjeshtë me Të,
Jo të ngadaltë, kokëfortë ose të ftohtë,
Sikur Betlehemi ynë të ishte
Çfarë ishte Sinai në të kaluarën.
4 maj-mëngjes
“A mundet të shpikë njeriu perëndi, që ne të vërtetë nuk janë perëndi?”
{#Jeremia 16 :20}
Një mëkat i madh i Izraelit të vjetër ishte idhujtaria dhe Izraeli shpirtëror i hap vetes telashe me po të njëjtën prirje të marrë. Ylli i Remfanit nuk shkëlqen më dhe gruaja nuk qan më për Tamuzin, por Mamoni akoma fut me dhunë viçin e tij të artë dhe tempujt e krenarisë nuk janë të braktisur. Njeriu i vjetër në forma të ndryshme lufton për të nënshtruar nën pushtetin e tij të zgjedhurit dhe mishi ngre lart altarët e tij sa herë që mund të gjejë hapësirë. Fëmijët e parapëlqyer janë shpesh shkaku i shumë mëkateve te besimtarët; Zotit i dhemb zemra kur na shikon të lëmë mendjen për ta përtej mase; ata do të jetojnë për të qenë po aq një mallkim i madh për ne sa Absalomi ishte për Davidin ose do të merren prej nesh duke lënë të vetmuara shtëpitë tona. Nëse të krishterët dëshirojnë të rrisin gjemba për të mbushur jastëkë që nuk japin gjumë, le të lënë mendtë mbas të shtrenjtëve të tyre.
Është e thënë me vërtetësi se ato “nuk janë perëndi,” sepse objektet e dashurisë sonë të çmendur janë bekime shumë të dyshimta, ngushëllimi që na japin tani është i rrezikshëm dhe ndihma që mund të na japin në kohën e telashit është me të vërtetë pak. Pse atëherë, jemi kaq shumë të magjepsur me kotësi? Na vjen keq për paganin e gjorë që adhuron një zot prej guri dhe prapëseprapë ne adhurojmë një zot ari. Ku është epërsia e madhe midis një zoti prej mishi dhe një zoti prej druri? Parimi, mëkati, çmenduria është e njëjta në secilin rast, veçse në rastin tonë krimi është më i rëndë, sepse ne kemi më shumë dritë dhe mëkatojmë përpara fytyrës së saj. Pagani përkulet përpara një hyjnie të rreme, por Perëndinë e vërtetë nuk e ka njohur kurrë; ne kryejmë dy të liga, duke braktisur Perëndinë e gjallë dhe duke u kthyer drejt idhujve. Zoti na pastroftë të gjithëve prej kësaj paudhësie të rëndë!
Idhullin më të shtrenjtë që kam njohur,
Cilido qoftë ai idhull,
Më ndihmo ta shkul prej Fronit Tënd,
Dhe vetëm Ty të të adhuroj.
4 maj-mbrëmje
“Sepse jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet.”
{#1 Pjetri 1 :23}
Pjetri me shumë zell i dha zemër shenjtorëve të shpërndarë që “të duan fort njeri tjetrin me zemër të pastër” dhe me urtësi e nxori argumentin e tij jo prej ligjit, jo prej natyrës ose prej filozofisë, por prej asaj natyre hyjnore dhe të lartë që Perëndia ka mbjellur në njerëzit e Tij. Ashtu si një kujdestar princash i matur punon fort për të krijuar dhe ushqyer te ata një frymë mbretërore dhe një sjellje të denjë, duke gjetur argumente në pozicionin dhe prejardhjen e tyre, po ashtu, duke i konsideruar njerëzit e Perëndisë si trashëgimtarë të lavdisë, princa me gjak mbretëror, pasardhës së Mbretit të mbretërve, aristokracia më e vjetër dhe me e vërtetë e tokës, Pjetri u thotë, “kujdesuni që ta doni njeri tjetrin, për shkak të prejardhjes suaj fisnike, duke qenë të lindur prej një fare të pakorruptueshme; për shkak të racës suaj, duke pasur lindur nga Perëndia, Krijuesi i gjithçkaje dhe për shkak se jeni të pavdekshëm, sepse nuk do të vdisni kurrë, edhe pse lavdia e mishit do të vyshket dhe ekzistenca e tij do të sosë.”
Do të ishte mirë sikur në frymë përulësie të pranojmë dinjitetin e vërtetë të natyrës sonë të ripërtëritur dhe të ecnim sipas saj. Çfarë është një i krishterë? Nëse e krahason me një mbret, ai i shton dinjitetit mbretëror shenjtërinë priftërore. Fisnikëria e mbretit shpesh ndodhet vetëm në kurorën e tij, por për një të krishterë është e përhapur në thelbin e natyrës së tij. Ai është po aq lart mbi të tjerët me anë të rilindjes së tij sa një njeri është mbi kafshën që ngordh. Me siguri që ai duhet të sillet në gjithë veprimet e tij, si dikush që nuk i përket shumicës, por si i zgjedhur jashtë nga bota, i dalluar prej hirit sovran, i shënuar midis “popullit të fituar” dhe prandaj si dikush që nuk mund të zvarritet në pluhur si të tjerët, as të jetojë sipas mënyrës së njerëzve të botës. Dinjiteti i natyrës suaj dhe shkëlqimi i shpresës suaj, o besimtarë në Krisht, le t’ju nxisë që t’i qëndroni besnik shenjtërisë dhe të mënjanoni edhe dukjen e së ligës.
5 maj-mëngjes
“Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli Im.”
{#2 Korintasve 6:16}
Çfarë titulli i ëmbël: “Populli Im!” Çfarë zbulese e hareshme: “Perëndia i tyre!” Sa shumë domethënie që përmbahet në këto dy fjalë, “Populli Im!” Këtu ka veçanti. E gjithë bota i përket Perëndisë; qielli, edhe qielli i qiejve është i Zotit dhe Ai mbretëron midis bijve të njerëzve, por për ata që Ai ka zgjedhur, që i ka shlyer për Veten e Tij, Ai thotë atë që nuk thotë për të tjerët—”Populli Im.” Në këtë fjalë gjendet idea e pronësisë. Në një mënyrë të veçantë “pjesa e Zotit është populli i Tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së Tij.” Të gjithë kombet mbi tokë i përkasin Atij; e gjithë bota është nën pushtetin e Tij; prapëseprapë populli i Tij, të zgjedhurit e Tij janë më veçanërisht zotërimi i Tij, sepse Ai ka bërë më shumë për ta se të tjerët; Ai i ka blerë me gjakun e Tij; i ka sjellë afër Vetes; i ka vendosur në zemrën e Tij; i ka dashur me një dashuri të përjetshme, një dashuri që shumë ujëra nuk mund të shuajnë dhe që revolucionet e kohërave nuk do të mjaftojnë kurrë për ta pakësuar qoftë edhe sadopak.
Miq të dashur, a mund ta shikoni veten tuaj me anë të besimit si pjesë e këtij populli? A mund të shikoni lart në qiell dhe të thoni, “Zoti dhe Perëndia im; i imi me anë të asaj lidhjeje të ëmbël që më jep të drejtën të të quaj At; i imi me anë të atij shoqërimi të shenjtë që kam ëndje ta mbaj me Ty ndërsa të pëlqen të më shfaqesh ashtu siç nuk e bën me botën?” A mund të lexosh Librin e Frymëzuar dhe të gjesh atje besëlidhjen e shpëtimit tënd? A mund të lexosh titullin tënd të shkruar me gjak të çmuar? A mundesh me anë të një besimi të përulur të kapësh rrobat e Jezusit dhe të thuash, “Krishti im?” Nëse po, atëherë Perëndia thotë për ty dhe për të tjerët si ty, “Populli Im;” sepse, nëse Perëndia është Perëndia yt dhe Krishti është Krishti yt, Zoti të ka për zemër në një mënyrë të veçantë dhe speciale; ti je i zgjedhuri i Tij, i pranuar në Birin e Tij të shumëdashur.
5 maj-mbrëmje
“Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën dhe kush i beson Zotit është i lumtur.”
{#Fjalët e urta 16:20}
Urtësia është forca e vërtetë e njeriut dhe nën udhërrëfimin e saj ai i përmbush më së miri qëllimet e qenies së tij. Të sillesh në jetë me urtësi i jep njeriut gëzimin më të pasur dhe është kohëzënia më fisnike për fuqitë e tij; me anë të saj ai gjen të mirën në kuptimin më të plotë. Pa urtësi njeriu është si mëzi i gomarit të egër, duke shkuar sa andej këndej, duke shkapërderdhur fuqi që mund të vihet në përdorim në mënyrë të dobishme. Urtësia është busulla me anë të cilës njeriu duhet të drejtohet përgjatë hapësirës së pashkelur të jetës; pa të ai është një enë e braktisur, loja e erërave dhe e dallgëve. Një njeri duhet të jetë i kujdesshëm në një botë të tillë si kjo, ose përndryshe nuk do të gjejë të mirë, por do të zhytet në të këqija të panumërta. Shtegtari do të plagosë rëndë këmbën e tij midis shqopave të pyllit të jetës nëse nuk i bën hapat me kujdesin më të madh.
Ai që është në një shkretëtirë të mbushur me banda hajdutësh duhet që të veprojë me urtësi nëse do të donte të udhëtonte me siguri. Nëse, të mësuar prej Mësuesit të Madh, ne e ndjekim atje ku Ai udhëheq, do të gjejmë të mirën, edhe pse akoma në këtë vend të errët; ka fryte qiellore për t’u mbledhur në këtë anë të kopshtit të Edenit dhe këngë parajse për t’u kënduar midis korijeve të tokës. Po ku gjendet vallë kjo urtësi? Shumë e kanë ëndërruar, por nuk e kanë zotëruar. Ku do ta mësojmë vallë? Le të dëgjojmë zërin e Zotit, sepse Ai ka shpallur sekretin; Ai i ka zbuluar bijve të njerëzve ku qëndron urtësia e vërtetë dhe ne e kemi atë në tekst, “dhe kush i beson Zotit është i lumtur.” Rruga e vërtetë për të vepruar me urtësi është t’i besosh Zotit. Ky është filli më i sigurtë për labirintet më të ndërlikuar të jetës, ndiqe atë dhe gjej lumni të përjetshme. Ai që beson Zotin ka një diplomë urtësie e dhënë prej frymëzimit; ai është i lumtur tani dhe do të jetë më i lumtur lart në qiell. Zot, në këtë mbrëmje të butë ec me mua në kopsht dhe më mëso urtësinë e besimit.
6 maj-mëngjes
“Ne qëndrojmë në Perëndinë.”
{#1 Gjoni 4:13}
A do një banesë për shpirtin tënd? A po pyet, “sa kushton?” Vlen diçka më pak se natyra njerëzore krenare është gati të japë. Nuk blihet me para dhe nuk ka çmim. Ah! Do të doje të paguaje një çmim të arsyeshëm! Do të doje të bëje diçka për të fituar Krishtin? Atëherë nuk mund ta kesh këtë banesë, sepse nuk ka çmim. A do të doje të banoje në shtëpinë e Mësuesit tim për gjithë përjetësinë, pa paguar asgjë për të, asgjë përveçse qiranë e truallit të dashurisë dhe të të shërbyerit Atij përjetë? A do të pranosh Jezusin dhe “të qëndrosh në Të?” Shiko se kjo banesë është e furnizuar me gjithçka që do, është e mbushur me pasuri më të shumta sa të nevojiten për aq gjatë që do të jetoje.
Këtu mund të kesh shoqërim të ngushtë me Krishtin dhe të gostitësh me dashurinë e Tij; këtu ka tryeza të furnizuara mirë me ushqim, i mjaftueshëm për të jetuar përjetë; aty, kur je i lodhur, mund të gjesh çlodhje me Jezusin dhe nga aty mund të vështrosh jashtë dhe të shikosh vetë parajsën. A do të doje ta kishe këtë banesë? Ah! Nëse je i pastrehë, do të thoshe, “do të doja ta kisha, por a mund ta kem me të vërtetë?” Po, ja ku është çelësi—çelësi është, “Eja te Jezusi.” “Por”, ti po thua, “jam i veshur me rrecka dhe ajo banesë nuk bën për mua.” Nuk ka gjë; do të gjesh rroba brenda. Nëse ndjehesh fajtor dhe i dënuar, eja dhe edhe pse shtëpia është tepër e mirë për ty, Krishti së shpejti do të të bëjë mjaft të përshtatshëm për të. Ai do të të lajë dhe do të të pastrojë dhe do të mund të këndosh, “ne qëndrojmë në Perëndinë.” Besimtar, je tre herë i lumtur që ke një vendbanim të tillë! Je i privilegjuar shumë, sepse ke një “kështjellë” ku je i sigurtë përherë. Dhe “duke qëndruar në Të,” nuk ke vetëm një banesë të sigurtë dhe të përkryer, por një banesë të përjetshme. Kur kjo botë do të ketë kaluar si një ëndërr, banesa jonë do të jetojë dhe do të qëndrojë akoma më e pavdekshme se mermeri, më e fortë se graniti, vetë ekzistuese si Perëndia, sepse është Vetë Perëndia—”Ne qëndrojmë në Perëndinë.”
6 maj-mbrëmje
“Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë.”
{#Jobi 14 :14}
Një qëndrim i shkurtër në tokë do ta bëjë parajsën më të mrekullueshme. Asgjë nuk e bën prehjen aq të ëmbël sa puna e rëndë; asgjë nuk e bën sigurinë kaq të këndshme sa rreziku i situatave alarmuese. Kupat e hidhura të tokës do t’i japin shije verës së re që shkumëzon në kupat e arta të lavdisë. Mburoja jonë e shkatërruar dhe çehret tona me vraja do ta bëjnë fitoren tonë të duket më e shkëlqyeshme atje lart, kur do të mirëpritemi në fronet e atyre që kanë mposhtur botën. Nuk do të kishim shoqërim të plotë me Krishtin nëse nuk do të qëndronim për pak kohë këtu poshtë, sepse Ai u pagëzua me një pagëzim vuajtjesh midis njerëzve dhe ne duhet të pagëzohemi me të njëjtin pagëzim nëse do të donim të marrim pjesë në mbretërinë e Tij. Shoqëria me Krishtin është kaq e nderuar sa pikëllimi më i madh është një çmim i vogël për ta fituar atë. Një tjetër arsye për vonesën tonë këtu është për të mirën e të tjerëve. Ne nuk do të donim të hynim në parajsë derisa puna jonë të jetë kryer dhe mund të jetë se jemi akoma të caktuar për t’i dhënë dritë shpirtrave të errësuar në shkretëtirën e mëkatit. Qëndrimi ynë i zgjatur këtu është padyshim për lavdinë e Perëndisë.
Një shenjtor i sprovuar, ashtu si një diamant i mirëprerë, shkëlqen në kurorën e Mbretit. Asgjë nuk reflekton aq shumë nder te një punëtor sa një sprovë e rreptë dhe e zgjatur e punës së tij dhe përballimi triumfues i provës së rëndë pa u dorëzuar. Ne jemi vepra e Perëndisë me të cilën Ai do të lavdërohet me anë të mundimeve tona. Është për nderin e Jezusit që ne durojmë me gëzim të shenjtë sprovën e besimit tonë. Çdo njeri le t’ia dorëzojë dëshirat e tij të zjarrta lavdisë së Jezusit dhe të ketë këtë qëndrim, “nëse ulja ime në pluhur do të ngrinte lart Zotin tim edhe një centimetër të vetme, le të qëndroj akoma përtokë. Nëse do të më duhej të jetoja përjetë mbi tokë dhe kjo do ta bënte Zotin tim më të lavdishëm akoma, do të ishte parajsë për mua të më mbyllej parajsa.” Koha jonë është e fiksuar dhe e caktuar prej dekretit të përjetshëm. Le të mos jemi të shqetësuar në lidhje me këtë, por le të presim me durim derisa portat prej perlash të hapen.
7 maj-mëngjes
“Turma të mëdha e ndiqnin dhe Ai i shëroi të gjithë.”
{#Mateu 12:15}
Çfarë mase sëmundjeje e shëmtuar duhet të jetë shfaqur nën sytë e Jezusit! Prapëseprapë nuk lexojmë gjëkundi se pati neveri, por përkundrazi, Ai me durim u kujdes për çdo rast. Çfarë shumëllojshmërie e jashtëzakonshme të ligash që ranë nën këmbët e Tij! Çfarë ulcera të neveritshme dhe të qelbura! Prapëseprapë Ai ishte përgatitur për çdo formë të re të përbindëshit ligësi dhe ishte fitimtar në çdo rast. Shigjeta le të fluturojë nga çdo drejtim, Ai e shoi pushtetin e saj të zjarrtë. Nxehtësia e ethes ose ftohtësia e hidropizisë; letargjia e paralizës, ose tërbimi i çmendurisë; fëlliqësia e lebrës ose errësira e oftalmisë—të gjitha e njohën fuqinë e Fjalës së Tij dhe urdhri i Tij i largoi tutje. Në çdo vend, Ai ishte triumfues mbi të ligën dhe të burgosurit e çliruar i bënë homazh. Ai erdhi, pa, doli fitimtar kudo. Po ashtu është dhe këtë mëngjes.
Cilido qoftë rasti im, Mjeku i dashur mund të më shërojë; dhe cilado qoftë gjendja e të tjerëve që mund të kujtoj këtë çast në lutje mund të kem shpresë në Jezusin se Ai do të jetë i aftë t’i shërojë ata prej mëkateve të tyre. Fëmijën tim, mikun tim, më të shtrenjtin tim, mund të shpresoj për secilin, për të gjithë, ndërsa sjell në mendje pushtetin shërues të Zotit tim; dhe përsa i përket vetes sime, sado e rreptë beteja ime me mëkatet dhe dobësitë prapëseprapë do të gëzohem. Ai që në tokë vizitonte të sëmurët, akoma shpërndan hirin e Tij dhe vepron mrekulli midis bijve të njerëzve; le të shkoj te Ai menjëherë me zellin e duhur. Le ta lavdëroj këtë mëngjes teksa kujtoj se si kreu shërimet shpirtërore që i japin shumë emër. E bëri këtë duke marrë mbi Veten e Tij sëmundjet tona. “Për shkak të vurratave të Tij ne jemi shëruar.” Kisha në tokë është plot me shpirtra të shëruar prej Mjekut tonë të dashur; dhe banorët e parajsës rrëfejnë se “Ai i shëroi ata të gjithë.” Eja, atëherë, shpirti im, shpall virtytet e hirit të Tij dhe le të jetë “për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet.”
7 maj-mbrëmje
“Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!”.”
{#Gjoni 5:8}
Ashtu si shumë të tjerë, njeriu lëngues kishte qenë duke pritur për kryerjen e një mrekullie dhe dhënien e një shenje. I kapitur e shikonte pellgun, por asnjë engjëll nuk erdhi ose nuk erdhi për të; prapëseprapë, duke menduar se ishte e vetmja mundësi e tij, akoma priti dhe nuk e dinte se Dikush ishte afër, që me Fjalën e Tij mund ta shëronte në një çast. Shumë janë në të njëjtën gjendje; ata janë duke pritur për ndonjë emocion të veçantë, përshtypje të jashtëzakonshme ose vizion qiellor; ata presin më kot dhe vigjilojnë për asgjë. Edhe duke hamendësuar se në disa raste vërehen shenja të mrekullueshme, prapëseprapë këto janë të rralla dhe asnjë njeri nuk ka të drejtë t’i kërkojë për veten e tij; veçanërisht asnjë njeri që e ndjen pafuqishmërinë e tij për të përfituar prej lëvizjes së ujit edhe sikur të ndodhte. Është një gjë e keqe që me mijëra e mijëra vetë po presin tani prej përdorimit të vetë forcave të tyre, riteve dhe betimeve dhe zotimeve dhe për kaq kohë të gjatë, më kot, tërësisht më kot.
Ndërkohë këta shpirtra të varfër harrojnë Shpëtimtarin e pranishëm, që i urdhëron të shikojnë te Ai dhe të shpëtohen. Ai mund t’i shërojë menjëherë, por ata preferojnë të presin për një engjëll dhe një mrekulli. Ta vendosësh besimin te Ai është mënyra e sigurtë për çdo bekim dhe Ai është i denjë për mirëbesimin më të plotë, por mosbesimi i bën që të preferojnë portikët e ftohtë të Betesdës se sa kraharorin e ngrohtë të dashurisë së Tij. Oh Zoti ktheftë sytë e Tij mbi turmën që gjendet sonte po në të njëjtën situatë; faltë shpërfilljen që ata tregojnë ndaj pushtetit të Tij hyjnor; dashtë Zoti që t’i thërrasë me anë të atij zëri të ëmbël tërheqës, për t’u ngritur prej vigut të dëshpërimit dhe në energjinë e besimit të marrin vigun dhe të ecin. O Zot, dëgjo lutjen tonë për njerëz të tillë në këtë orë të qetë perëndim dielli dhe përpara se dita të mbarojë të mund të shikojnë dhe të jetojnë. Lexues i dashur, a ka ndonjë gjë për ty këtu?
8 maj-mëngjes
“Ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte.”
{#Gjoni 5:13}
Vitet janë të shkurtra për të lumturin dhe të shëndetshmin, por tridhjetë e tetë vite sëmundjeje duhet të kenë qenë një barrë e rëndë gjatë jetës së lënguesit të gjorë. Prandaj, kur Jezusi e shëroi me një fjalë, ndërsa dergjej te pellgu i Betesdës, ai e ndjeu ndryshimin me ëndje të madhe. Po ashtu dhe mëkatari që për javë dhe muaj ka qenë i paralizuar me dëshpërim dhe ka gulçuar me kapitje për shpëtim, është shumë i ndërgjegjshëm për ndryshimin kur Zoti Jezus shpreh Fjalën e fuqisë dhe i jep gëzim dhe paqe ndërsa ka besuar. E liga që është hequr është tepër e madhe për t’u hequr tutje pa e dalluar; jeta e përçuar është shumë e jashtëzakonshme për t’u zotëruar dhe për të mbetur më pas jovepruese; dhe ndryshimi i kryer është shumë i mrekullueshëm për të mos u parë. Prapëseprapë njeriu i gjorë nuk e njihte autorin e shërimit të tij; nuk e njihte shenjtërinë e personit të Tij, ofiqet që mbante ose porosinë që e solli midis njerëzve.
Shumë padije në lidhje me Jezusin mund të gjendet në zemra që megjithatë ndjejnë fuqinë e gjakut të Tij. Nuk duhet të nxitojmë t’i dënojmë njerëzit për mungesë njohurie, por atje ku mund të shikojmë besim që shpëton shpirtin duhet të besojmë se shpëtimi është dhënë. Fryma e Shenjtë i bën njerëzit të penduar shumë më përpara se t’i japë një zbulesë më të qartë dhe ai që beson atë që njeh do të njohë së shpejti më qartë se çfarë beson. Padija është, prapëseprapë një gjë e keqe, sepse ky njeri i gjorë u mundua shumë prej farisenjve dhe nuk mund t’i bënte dot ballë. Është mirë që të jesh i aftë t’i përgjigjesh shpifësve, por ne nuk mund të bëjmë kështu nëse nuk e njohim Zotin Jezus qartë dhe me zgjuarsi. Shërimi i padijes së Tij prapëseprapë shpejt erdhi pas shërimit të sëmundjes së tij, sepse u vizitua në tempull prej Zotit; dhe mbas asaj shfaqje të hirshme, filloi të dëshmonte se “Jezusi ishte Ai që e shëroi.” Zot, nëse më ke shpëtuar, mu shfaq që të mund të të shpall përpara bijve të njerëzve.
8 maj-mbrëmje
“Pajtohu, pra, me Perëndinë.”
{#Jobi 22:21}
Nëse do të donim “të pajtoheshim me Perëndinë dhe të kishim paqe,” duhet që ta njohim ashtu si e ka shfaqur Veten, jo vetëm në unitetin e esencës dhe thelbit të Tij, por gjithashtu në tre personat e Tij. Perëndia tha, “ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë”—asnjë njeri të mos jetë i kënaqur derisa të dijë diçka në lidhje me fjalët “sipas shëmbëlltyrës sonë” nga ku rrodhi qenia e tij.
Përpiqu të njohësh Atin; zhyt kokën tënde në kraharorin e Tij në pendim të thellë dhe rrëfe se nuk je i denjë të quhesh biri i Tij; merr puthjen e dashurisë së Tij; unaza që është dëshmia e besnikërisë së Tij të përjetshme qoftë në gishtin tënd; ulu në tryezën e Tij dhe zemra jote u gëzoftë në hirin e Tij.
Më pas, ec përpara dhe kërko të njohësh shumë për Birin e Perëndisë që është shkëlqimi i lavdisë së Atit të Tij dhe prapëseprapë në begenisje të pashprehshme hiri, Ai u bë njeri për ne; njihe në ndërlikimin e veçantë të natyrës së Tij: Perëndi i përjetshëm dhe prapëseprapë, njeri si të tjerët; ndiqe Atë teksa ecën mbi ujëra me hapin e Hyjnisë dhe teksa ulet pranë pusit nga lodhja e natyrës njerëzore. Mos ji i kënaqur derisa të njohësh shumë për Jezu Krishtin si Miku yt, Vëllai yt, Dhëndri yt, gjithçkaja yt.
Mos e harro Frymën e Shenjtë; përpiqu të fitosh një pamje të qartë të natyrës, karakterit, atributeve dhe veprave të Tij. Shiko Frymën e Zotit që në fillim lëvizi mbi kaosin dhe solli rregull, që tani viziton kaosin e shpirtrave tanë dhe krijon rregullin e shenjtërisë. Shikoje si Zot dhe Dhënës i jetës shpirtërore, Ndriçuesi, Mësimdhënësi, Ngushëlluesi dhe Shenjtëruesi. Shikoje, ashtu si vajosje e shenjtë teksa zbret mbi kokën e Jezusit dhe më pas qëndron mbi ju që jeni cepat e rrobave të Tij.
Një besim i tillë inteligjent, biblik dhe përjetues te Triniteti në Unitet është i yti, nëse e njeh me të vërtetë Perëndinë; dhe një njohje e tillë sjell me të vërtetë paqe.
9 maj-mëngjes
“Që na bekoi me çdo bekim frymëror.”
{Efesianëve 1:3}
Krishti i jep popullit të Tij të gjithë mirësinë e së kaluarës, së tashmes dhe të së ardhmes. Në kohërat misterioze të së kaluarës, Zoti Jezus ishte i zgjedhuri i parë i Atit të Tij dhe Ai na bëri pjesëmarrës në zgjedhjen e Tij, sepse u zgjodhëm në Të që përpara themelimit të botës. Që nga përjetësia, Ai pati privilegjet e Birit si i Vetëmlinduri i Atit dhe Biri i Shumëdashur dhe në pasuritë e hirit të Tij, me anë të adoptimit dhe ripërtëritjes, na ka bërë edhe ne bij, kështu që na ka dhënë “pushtet të bëhemi bij të Perëndisë.” Besëlidhja e përjetshme, e bazuar mbi një dorëzanë dhe e konfirmuar me betim, është e jona për ngushëllimin tonë të fuqishëm dhe sigurinë tonë. Në zgjedhjet e përjetshme të urtësisë paracaktuese dhe të dekretit të plotfuqishëm, syri i Zotit Jezus ishte përherë i ngulitur mbi ne; dhe mund të prehemi të siguruar se në gjithë rrotullamen e paracaktimit nuk ka as dhe një rresht që shkon kundra interesave të të shlyerve të Tij.
Fejesa e madhe e Princit të Lavdisë është e jona, sepse Ai është i fejuar me ne, ndërsa martesa e shenjtë së shpejti do t’i shpallet një universi të mbledhur bashkë. Mishërimi i mrekullueshëm i Perëndisë së qiellit me gjithë përuljen dhe begenisjen e mrekullueshme që e shoqëroi, është i yni. Djersa e përgjakur, kamxhiku, kryqi janë tonat përgjithmonë. Çfarëdo rrjedhojash të bekuara që rrjedhin prej bindjes së përkryer, shlyerjes së përfunduar, prej ringjalljes, ngritjes lart ose ndërmjetësimit, të gjitha janë tonat me anë të dhuratës së Tij. Ai tani po mban mbi parzmoren e Tij emrat tanë; dhe në përgjërimet e tij autoritare në fron, Ai na kujton dhe na merr në mbrojtje. Sundimin i Tij mbi principatat, pushtetet dhe madhështinë e Tij absolute në parajsë, Ai e përdor për dobinë e atyre që besojnë te Ai. Gjendja e Tij e lartësuar është po aq në shërbimin tonë sa ç’ishte gjendja e Tij e përuljes. Ai që dha Veten e Tij për ne në thellësitë e mundimit dhe vdekjes, nuk e tërheq mbrapa çfarë na ka dhënë, tani që është i fronëzuar në qiejt më të lartë.
9 maj-mbrëmje
“Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha..për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë.”
{#Kantiku i kantikëve 7 :11,12}
Kisha ishte gati të angazhohej në punë të zellshme dhe dëshironte shoqërinë e Zotit të saj. Ajo nuk thotë, “do të dal,” por “le të dalim.” Është punë e bekuar ajo, kur Jezusi është në krahun tonë! Është puna e njerëzve të Perëndisë të kujdesen për vreshtat e Perëndisë. Ashtu si të parët tanë, jemi të vendosur në kopshtin e Zotit për të qenë të dobishëm; le të shkojmë pra përpara nëpër fusha. Vëre se kisha kur është në gjendjen e duhur dëshiron në të gjitha punët e saj të shumta të gëzojë shoqërim me Krishtin. Disa mendojnë se nuk mund t’i shërbejnë Krishtit aktivisht dhe në të njëjtën kohë të kenë shoqërim me Të: e kanë gabim. Pa dyshim që është shumë e lehtë që jeta jonë e brendshme të thërrmohet nga angazhimet e jashtme dhe të ankohemi më pas si nusja, “më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur;” por nuk ka arsye pse duhet që të ndodhë kështu përveçse prej vetë marrëzisë dhe neglizhencës sonë.
Është e sigurtë se një i ashtuquajtur i krishterë mund të mos bëjë asgjë dhe prapëseprapë të bëhet po aq i pajetë në gjëra shpirtërore sa ata që janë tejet të zënë. Maria nuk u lavdërua se u ul e qetë pa bërë asgjë, por se u ul te këmbët e Jezusit. Po ashtu, të krishterët nuk duhet të lavdërohen kur lënë pas dore detyrat me pretekstin se kanë shoqërim të fshehtë me Jezusin; nuk është ulja, por ulja te këmbët e Jezusit që është e rekomandueshme. Mos mendoni se aktiviteti është në vetvete gjë e keqe; është një bekim i madh dhe një mjet hiri për ne. Pali e quan hir që iu dha të lejohej të predikonte dhe çdo formë e shërbimit të krishterë mund të bëhet një bekim personal për ata që janë pajtuar për të. Ata që kanë shumë shoqërim me Krishtin nuk janë vetmitarë ose hermitë që kanë shumë kohë për të kursyer, por punëtorë të palodhur që punojnë rëndë për Jezusin dhe që në punën e tyre e kanë Atë krah për krah, kështu që ata janë punëtorë së bashku me Perëndinë. Le të kujtojmë atëherë se në çdo gjë që kemi për të bërë për Jezusin mund ta kryejmë dhe duhet ta kryejmë në shoqërim të ngushtë me Të.
10 maj-mëngjes
“Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish.”
{#1 Korintasve 15 :20}
I gjithë sistemi i krishtërimit qëndron mbi faktin se “Krishti u ringjall prej së vdekurish,” sepse “në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja.” Hyjnia e Krishtit e ka provën më të sigurtë në ringjalljen e Tij, përderisa Ai “u deklarua Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit.” Nuk do të ishte e paarsyeshme të dyshoje Hyjninë e Tij nëse nuk do të ishte ringjallur. Për më tepër, sovraniteti i Krishtit varet nga ringjallja e Tij, “sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët.” Po ashtu, justifikimi ynë, ky bekim i zgjedhur i besëlidhjes, është i lidhur me fitoren triumfuese të Krishtit mbi vdekjen dhe varrin, sepse “u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.” Më tepër akoma, vetë ripërtëritja jonë është e lidhur me ringjalljen e Tij, sepse “jemi rilindur për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.”
Dhe me shumë siguri, ringjallja jonë përfundimtare varet prej kësaj, sepse “në qoftë se Fryma i Atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, Ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t`u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së Tij që banon në ju.” Nëse Krishti nuk është ringjallur atëherë edhe ne nuk do të ringjallemi, por nëse Ai është ringjallur atëherë ata që flenë në Krisht nuk kanë vdekur, por në mishin e tyre do të shikojnë me siguri Perëndinë e tyre. Kështu pra, filli i argjend i ringjalljes kalon përmes të gjithë bekimeve të besimtarit, prej ripërtëritjes së tij deri në lavdinë e tij të përjetshme dhe i lidh ata bashkë. Sa i rëndësishëm atëherë do të jetë ky fakt në vlerësimin e tij dhe sa do të gëzohet se pa dyshim është e vërtetuar se “tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish.”
Premtimi u përmbush
Vepra e shpengimit u krye
Drejtësia me mëshirën e pajtuar
Sepse Perëndia ka ngjallur Birin e Tij.
10 maj-mbrëmje
“I vetëmlinduri prej Atit, plot hir e të vërtetë.”
{#Gjoni 1:14}
Besimtar, mund të japësh dëshminë tënde se Krishti është i vetëmlinduri prej Atit, po ashtu si dhe i Parëlinduri prej së vdekurish. Mund të thuash, “nëse është njerëzor për botën rreth meje, për mua Ai është hyjnor. Ai ka bërë atë gjë për mua që asnjë përveçse një Perëndi mund të bënte. Ai ka nënshtruar vullnetin tim kokëfortë, ka shkrirë zemrën time prej diamanti, ka hapur portat prej tunxhi dhe ka copëtuar shufrat prej hekuri. Ai ka kthyer vajtimin tim në buzëqeshje dhe dëshpërimin tim në gëzim; Ai ka robëruar robërinë time dhe e bëri zemrën time të gëzohet me gëzim të pashprehshëm dhe plot me lavdi. Të tjerët le të mendojnë si të duan për Të, për mua duhet të jetë i vetëmlinduri i Atit; i bekuar qoftë emri i Tij. Dhe Ai është plot me hir. Ah! nëse jo, atëherë nuk do të isha shpëtuar.
Ai më tërhoqi kur luftova për të shpëtuar prej hirit të Tij; dhe kur më së fundi erdha i tëri duke u dredhur ashtu si një fajtor i dënuar tek froni i Tij i mëshirës Ai tha, “mëkatet e tua të shumta të janë falur, merr zemër.” Dhe Ai është plot me vërtetësi. Premtimet e Tij kanë qenë të vërteta, as dhe një nuk ka dështuar. Jap dëshmi se asnjë shërbëtor nuk ka patur një zotëri ashtu si unë; asnjë vëlla nuk ka qenë kurrë një i afërm i tillë ashtu si Ai ka qenë për mua; asnjë bashkëshort nuk ka pasur dhëndër të tillë ashtu si Krishti ka qenë për shpirtin tim; asnjë mëkatar nuk ka pasur një Shpëtimtar më të mirë; asnjë vajtues një ngushëllues më të mirë se sa Krishti ka qenë për frymën time. Nuk dua asnjë përveç Tij. Në jetë Ai është jeta ime dhe në vdekje do të jetë vdekja e vdekjes; në varfëri Krishti është pasuria ime; në sëmundje Ai kujdeset për mua; në errësirë Ai është ylli im dhe në dritë Ai është dielli im; Ai është mana e kampit në shkretëtirë dhe Ai do të jetë ushqimi i ri i popullit kur të mbërrijë në Kanan. Jezusi është për mua plot hir dhe jo zemërim, plot vërtetësi dhe jo gënjeshtër dhe Ai është i mbushur me vërtetësi dhe hir, pafundësisht plot. Shpirti im, këtë natë, beko me gjithë fuqinë tënde “të vetëmlindurin.”
11 maj-mëngjes
“Unë jam me ju gjithë ditët.”
{#Mateu 28 :20}
Është mirë që është Dikush që është përherë i njëjti dhe që është përherë me ne. Është mirë që ka një shkëmb të qëndrueshëm midis shkulmeve të detit të jetës. O shpirti im, mos i vendos ndjenjat e tua mbi thesare të ndryshkura, të ngrëna prej molës dhe të kalbura, por vendose zemrën tënde mbi Atë që është përherë besnik. Mos e ndërto shtëpinë tënde mbi rërat lëvizëse të një bote mashtruese, por themeloi shpresat e tua mbi këtë shkëmb që mes shirave të furishëm dhe përmbytjeve të fuqishme do të qëndrojë i sigurtë e i patundur. Shpirti im, po të paralajmëroj, vëre thesarin tënd në të vetmin vend të sigurtë; ruaji gurët e tu të çmuar atje ku nuk mund t’i humbasësh kurrë.
Vëre gjithçkanë tënde në Krisht; vendos të gjitha ndjenjat e tua në personin e Tij, të gjitha shpresat e tua në meritën e Tij, të gjithë besimin tënd në gjakun e Tij të efektshëm, të gjithë gëzimin tënd në praninë e Tij, dhe kështu do të qeshësh para humbjeve dhe do të sfidosh shkatërrimin. Kujto se të gjitha lulet në kopshtin e botës do të vyshken një nga një dhe dita po vjen kur asgjë nuk do të mbetet veçse toka e ftohtë dhe e zezë. Vdekja e zezë duhet që së shpejti të fikë qiriun tënd. Oh! Sa gjë e ëmbël të kesh dritë dielli kur qiriu është tretur! Dallga e errët duhet së shpejti të rrokulliset midis teje dhe gjithçka që ke; atëherë bashko zemrën tënde me Atë që nuk do të të lërë kurrë; dorëzoja veten Atij që do të shoqërojë përmes rrymës të zezë dhe të tërbuar të ujërave të vdekjes dhe që do të të zbarkojë me siguri në bregun qiellor dhe do të të bëjë të ulesh me Të në vendet qiellore përherë. Shko, bir i pikëllimit, ndaj sekretet e tua me Mikun që është më i afërt se një vëlla. Besoja të gjitha shqetësimet e tua Atij që nuk do të rrëmbehet kurrë prej teje, që nuk do të të lërë kurrë dhe që nuk do të të lërë kurrë ta lësh Atë, po, madje “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.” “Ja, Unë jam me ju gjithë ditët,” është e mjaftueshme për shpirtin tim ku të mbështetet gjithë jetën dhe le të më braktisë kushdo që të jetë.
11 maj-mbrëmje
“Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim.”
{#Jozueu 1:7}
Dashuria e butë e Perëndisë tonë për shërbëtorët e Tij e bën të shqetësuar për gjendjen e ndjenjave të tyre të brendshme. Ai dëshiron që të jenë me kurajë. Disave i duket gjë e vogël që një besimtar të jetë i munduar prej dyshimeve dhe frikave, por Perëndia nuk mendon ashtu. Prej këtij teksti është e qartë se Mjeshtri ynë nuk do që të jemi të rrethuar nga frika. Ai do që ne të jemi pa merak, pa dyshim, pa ligështi. Mjeshtri ynë nuk e merr kaq lehtë mosbesimin tonë sa ne. Kur jemi duke u dëshpëruar, jemi nën një sëmundje të rëndë me të cilën nuk duhet luajtur, por që duhet të çohet menjëherë te Mjeku i dashur. Zotit tonë nuk i pëlqen ta shohë çehren tonë të trishtuar.
Sipas ligjit të Asueros, asnjë nuk duhej të hynte i veshur me rroba zije në oborrin e mbretit; ky nuk është ligji i Mbretit të mbretërve, sepse ne mund të vijmë ashtu siç jemi duke vajtuar, por megjithatë Ai do të donte që të hiqnim frymën e rënduar dhe të vishnim rrobën e lavdërimit, sepse ka shumë arsye për t’u gëzuar. I krishteri duhet të ketë një frymë trime në mënyrë që të mund të lavdërojë Zotin duke duruar sprovat në një mënyrë heroike. Nëse i lëshon zemra, do të çnderojë Perëndinë e Tij. Përveç kësaj, çfarë shembulli i keq që është! Sëmundja e dyshimit dhe e dekurajimit është një epidemi që përhapet shpejt mes kopesë së Zotit. Një besimtar i dekurajuar bën të pikëlluar njëzet shpirtra. Për më tepër, nëse kuraja jote nuk mbahet lart, satanai do të jetë tepër i fortë për ty. Fryma jote le të jetë e gëzuar në Perëndinë Shpëtimtarin tënd, gëzimi i Zotit do të jetë forca jote dhe asnjë djall i ferrit nuk do të bëj dot çap kundra teje, por burracakëria hedh poshtë flamurin. Për më tepër, puna është e lehtë për një njeri me frymë të gëzuar dhe suksesi i përket atij që është me zemër të hareshme. Njeriu që punon rëndë duke u gëzuar në Perëndinë e tij, duke besuar me gjithë zemrën e tij, ka sukses të garantuar. Ai që mbjell me shpresë, do të korrë me gëzim; prandaj, lexues i shtrenjtë, “tregohu i fortë dhe shumë trim.”
12 maj-mëngjes
“Do t’i dëftehem atij.”
{Gjoni 14:21}
Zoti Jezus i dëftehet njerëzve të Tij në mënyra të veçanta. Edhe sikur Shkrimi të mos ta shpallte këtë gjë, ka shumë fëmijë të Perëndisë që do të mund të dëshmonin të vërtetën e këtij fakti prej vetë përvojës së tyre. Ata patën shfaqje të Zotit dhe Shpëtimtarit të tyre Jezu Krisht në një mënyrë të veçantë, në një mënyrë të tillë sa thjesht leximi ose dëgjimi nuk mund ta siguronin dot. Në biografitë e shenjtorëve të shquar do të gjeni shumë shembuj të shënuar ku Jezusi ka dashur t’i flasë shpirtrave të tyre në një mënyrë shumë të veçantë dhe të shpalosë mrekullitë e personit të Tij; po, kështu shpirtrat e tyre janë kredhur në lumturi aq sa e menduan veten në parajsë, ndërkohë që nuk ishin atje, edhe pse ata ishin me të vërtetë afër pragut të saj—sepse kur Jezusi i dëftehet njerëzve të Tij, është qielli mbi tokë; është parajsë në embrion; është lumni e nisur.
Shfaqjet e veçanta të Krishtit ushtrojnë një ndikim të shenjtë mbi zemrën e besimtarit. Një nga efektet do të jetë përulja. Nëse një njeri thotë, “kam patur këtë ose atë zbulesë shpirtërore, jam një njeri i rëndësishëm,” ai kurrë nuk ka patur ndonjë shoqërim me Jezusin, sepse “Perëndia tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.” Ai nuk ka nevojë t’i afrohet afër për t’i njohur,dhe nuk do t’i bëjë kurrë vizita dashurie. Një tjetër efekt do të jetë lumturia, sepse në praninë e Perëndisë ka kënaqësi përgjithmonë. Shenjtëria është e sigurtë se do të vijë më pas. Një njeri që nuk ka shenjtërim nuk ka patur kurrë shfaqjen e Tij. Disa njerëz pretendojnë shumë, por nuk duhet t’i besojmë askujt nëse veprat nuk i përgjigjen asaj që ai thotë. “Mos u gënjeni; Perëndia nuk vihet dot në lojë.” Ai nuk do t’i japë favoret e Tij të ligut, sepse ashtu siç nuk do të hidhte poshtë një njeri të përkryer, po ashtu nuk do të kishte kujdes për një keqbërës. Kështu pra, do të ketë tre efekte të afërsisë me Jezusin—përulësia, lumturia dhe shenjtëria. Perëndia t’i dhëntë që të treja, i krishterë!
12 maj-mbrëmje
“Mos ki frikë të zbresësh në Egjipt, sepse aty do të të bëj një komb të madh. Unë do të zbres bashkë me ty në Egjipt dhe do të bëj që sigurisht të kthehesh.”
{#Zanafilla 46:3,4}
Jakobi me siguri që është rrëqethur prej mendimit se duhet të linte vendin e atit të tij dhe të banonte mes të huajve paganë. Ishte një vend i ri dhe me shumë mundësi një vend sprove; kush do të guxonte të qëndronte pa ankth midis shoqëruesve të një monarku të huaj? Prapëseprapë udha ishte e caktuar qartë për të dhe prandaj vendosi të shkojë. Ky është shpesh pozicioni i besimtarëve tani—ata janë të thirrur për rreziqe dhe tundime të paprovuara më parë; në periudha të tilla le të imitojnë shembullin e Jakobit duke i ofruar flijime lutje Perëndisë dhe duke kërkuar drejtimin e Tij; le të mos bëjnë hapin derisa të kenë pritur Zotin për bekimin e Tij; atëherë do të kenë Mikun e Jakobit si mikun dhe ndihmësin e tyre.
Sa gjë e bekuar të ndjehesh i sigurtë se Zoti është me ne në të gjitha shtigjet tona dhe begenis të zbresë poshtë me ne në përuljet dhe syrgjynosjet tona! Edhe përtej detit, dashuria e Atit tonë shkëlqen si dielli në forcën e tij. Nuk mund të ngurrojmë të shkojmë atje ku Jehovai premton praninë e Tij; edhe lëndina e hijes së vdekjes kthehet e ndritshme me shkëlqimin e kësaj sigurie. Duke ecur përpara me besim në Perëndinë e tyre, besimtarët do të kenë premtimin e Jakobit. Do të kthehen përsëri, qoftë prej telasheve të jetës ose dhomave të vdekjes. Pasardhja e Jakobit doli jashtë prej Egjiptit në kohën e duhur dhe po ashtu të gjithë besnikët do të kalojnë të padëmtuar përmes mundimeve të jetës dhe tmerrit të vdekjes. Le të ushtrojmë mirëbesimin e Jakobit. “Mos ki frikë,” është urdhri i Zotit dhe zemërdhënia e Tij hyjnore për ata që me urdhrin e Tij po nisen mbi detra të panjohur; prania dhe ruajtja hyjnore ndalofshin edhe frikën më të vogël mosbesuese. Pa Perëndinë tonë duhet të kemi frikë të lëvizim, por kur Ai na urdhëron për këtë gjë, do të ishte e rrezikshme të qëndronim në vend. Lexues, shko përpara dhe mos ki frikë.
13 maj-mëngjes
“Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.”
{#Psalmi 30 :5}
I krishterë! Nëse je ne një natë sprove, mendo për të nesërmen; gëzo zemrën me mendimin e ardhjes së Zotit tënd. Ji i duruar, sepse
Ja! Ai vjen duke zbritur në re.
Ji i duruar! Bujku pret të korrat. Ji i duruar, sepse e di se kush ka thënë, “Dhe ja, Unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t`i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.” Nëse nuk ke qenë kurrë kaq i mjerë sa tani, sill në mendje,
Edhe disa vite dhe do të zbarkosh
në bregun e bukur të Kananit.
Koka mund të jetë e kurorëzuar tani me telashe si gjemba, por së shpejti do të mbajë një kurorë me yje; duart e tua mund të jenë të mbushura me shqetësime—së shpejti duart e tua do të çikin telat e harpës së qiellit. Veshjet e tua mund të ndoten me pluhur tani; dalëngadalë do të jenë të bardha. Prit dhe pak. Ah! Sa të urryeshme do të duken telashet dhe sprovat tona kur do të shikosh mbrapa te to! Duke i shikuar këtu në perspektivë, ato duken shumë të mëdha, por kur të arrijmë në parajsë,
Me gëzime rrëmbyese do të tregojmë
Punët e rënda të këmbëve tona.
Telashet tona do të duken atëherë të lehta dhe dhembje të çastit. Le të shkojmë përpara me guxim; nëse nata nuk ka qenë kurrë kaq e errët, mëngjesi vjen, gjë që është më shumë se ç’mund të thonë ata që janë të mbyllur në errësirën e ferrit. A e di vallë se çfarë është të jetosh me të ardhmen—të jetosh me pritjen—të paradatosh parajsën? Lum ti besimtar që ke një shpresë kaq ngushëlluese, kaq të sigurtë. Tani mund të jetë errësirë e plotë, por së shpejti do të bëhet dritë; mund të ketë vetëm sprova tani, por së shpejti gjithçka do të jetë lumturi. Çfarë rëndësie ka nëse “të qarat vazhdojnë për një natë,” kur “në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi?”
13 maj-mbrëmje
“Ti je pjesa ime, o Zot.”
{#Psalmi 119 :57}
Shiko te zotërimet e tua, o besimtar, dhe krahaso pjesën tënde me riskun e njerëzve të tjerë. Disa nga ata kanë pjesën e tyre në arë; janë të pasur dhe korrjet e tyre japin me bollëk, por çfarë janë korrjet të krahasuara me Perëndinë tënd, që është Perëndia i të korrurave? Çfarë janë hambarët plot e përplot të krahasuar me Të, i Cili është Bujku dhe të ushqen me bukën e qiellit? Disa kanë pjesën e tyre në qytet; pasuria e tyre është e bollshme dhe rrjedh vazhdimisht drejt tyre, derisa bëhet një rezervuar i vërtetë ari, por çfarë është ari i krahasuar me Perëndinë tënd? Nuk do të mund të jetoje dot me ar, jeta jote shpirtërore nuk mund të mbahej dot me të. Vendose në ndërgjegjen e trazuar dhe a do të mund të lehtësonte vallë dhembjet e saj? Përdore për një zemër të dëshpëruar dhe shiko a do të vononte vallë edhe një psherëtimë të vetme ose a do të qetësonte sadopak një brengë? Por ti ke Perëndinë dhe ne Të ke më shumë se ç’mund të blejnë ari ose pasuritë. Disa kanë pjesën e tyre në atë që shumica e njerëzve duan—duartrokitjen dhe famën, por pyet veten, a nuk është Perëndia yt për ty më shumë se kaq?
Edhe çfarë nëse miriada trumbeta të ngrinin zërin mes brohoritjeve për ty, a do të të bënin vallë gati për të kaluar Jordanin, ose a do të të gëzonin në gjykimin e ardhshëm? Jo, ka brenga në jetë që pasuria nuk mund t’i lehtësojë dhe në çastin e fundit të jetës, asnjë pasuri nuk mund të plotësojë dot nevojat e tua të thella. Por kur ke Perëndinë për pjesën tënde, ke më shumë se çdo gjë tjetër të vëna të gjitha së bashku. Në Të, çdo nevojë është e plotësuar, qoftë në jetë apo në vdekje. Me Perëndinë për pjesën tënde, je me të vërtetë i pasur, sepse Ai do të plotësojë nevojën tënde, do të ngushëllojë zemrën tënde, do të lehtësojë dhembjen tënde, do të udhëheqë hapat e tua, do të jetë me ty në lëndinën e errët dhe do të të çojë në parajsë për ta gëzuar Atë si pjesën tënde përherë. “Kam mjaft për vete,” tha Esau; kjo është gjëja me e mirë që një njeri i botës mund të shprehë, por Jakobi përgjigjet, “unë kam gjithçka,” e cila është një notë tejet e lartë për mendjet mishore.
14 maj-mëngjes
“Bashkëtrashëgimtarë të Krishtit.”
{#Romakëve 8 :17}
Mbretëria e pakufi e universit të Atit të Tij i takon Krishtit me të drejtë. Si “trashëgimtar të të gjitha gjërave,” Ai është i vetmi zotërues i krijimit të pamasë të Perëndisë dhe na ka pranuar që të kërkojmë të gjithën si tonën, me anë të virtytit të asaj vepre bashkëtrashëgimie që Zoti ka ratifikuar me popullin e Tij të zgjedhur. Rrugët e arta të parajsës, portat prej perlash, lumi i jetës, lumnia e përtejme dhe lavdia e pashprehshme, na janë lënë me anë të Zotit tonë të bekuar, si zotërimi ynë i përhershëm. Gjithçka që Ai ka e ndan me popullin e Tij. Kurorën mbretërore Ai e ka vendosur mbi kokën e Kishës së Tij duke i caktuar një mbretëri dhe duke i quajtur bijtë e saj priftëri mbretërore, një brez priftërinjsh dhe mbretërish.
Ai ç’kurorëzoi Veten e Tij me qëllim që ne të mund të kishim kurorëzimin e lavdisë; nuk do të ishte ulur në fronin e Tij, nëse nuk do të kishte përgatitur një vend aty për të gjithë ata që mposhtën me anë të gjakut të Tij. Kurorëzo kokën dhe i gjithë trupi ndan nderin. Shiko këtu shpërblimin e çdo të krishteri fitimtar! Froni, kurora, skeptri, pallati, thesari, rroba trashëgimia e Krishtit janë tuajat. Shumë më i lartë se xhelozia, egoizmi dhe lakmia që nuk pranojnë pjesëmarrje në avantazhet e tyre, Krishti e konsideron lumturinë e Tij si të plotësuar ndërsa populli i Tij ka pjesë në këtë lumturi. “Unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë.” “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” Buzëqeshjet e Atit të Tij janë akoma më të ëmbla për Të, sepse populli i Tij ka pjesë në to. Nderimet e mbretërisë së Tij janë shumë më të këndshme, sepse populli i Tij shfaqet me Të në lavdi. Fitoret e Tij janë më të vlefshme përderisa ato kanë mësuar popullin e Tij të dalin fitimtarë. Ai gjen ëndje të madhe në fronin e Tij, sepse atje ka një vend për ta. Ai gëzon i veshur në rrobat e Tij mbretërore përderisa këto rroba mbretërore janë shtrirë edhe për ta. Ai gëzon akoma më shumë në gëzimin e Tij, sepse i fton të hyjnë në të.
14 maj-mbrëmje
“Ai do t’i mbledhë qengjat me krahun e Tij dhe do t’i mbajë në gji të Tij.”
{#Isaia 40:11}
Kush është Ai për të Cilin fliten të tilla fjalë të hirshme? Ai është Bariu i Mirë. Pse vallë i mban qengjat në gjirin e Tij? Sepse Ai ka një zemër të butë dhe çdo dobësi menjëherë i shkrin zemrën. Psherëtimat, padija, pafuqia e të vegjëlve të kopesë së Tij nxisin dhembshurinë e Tij. Është ofiqi i Tij, si një Kryeprift besnik, të marrë në konsideratë të dobëtin. Përveç kësaj Ai i bleu me gjak, ata i përkasin Atij; Ai duhet dhe do të përkujdeset për atë që i kushtoi aq shtrenjtë. Pastaj Ai ka përgjegjësi për çdo qengj, i lidhur me anë të zotimeve të besëlidhjes për të mos humbur asnjë nga ata. Për më tepër, ata janë të gjithë një pjesë e lavdisë dhe shpërblimit të Tij.
Por si mund ta kuptojmë shprehjen, “Do t’i mbajë?” Ndonjëherë Ai i mban duke mos lejuar që të durojnë shumë mundime. Providenca i trajton butësisht. Shpesh ata “mbahen” duke u mbushur me një shkallë të pazakontë dashurie kështu që ata durojnë dhe qëndrojnë të palëkundur. Edhe pse dija e tyre mund të mos jetë e thellë, ata kanë një ëmbëlsi të madhe në atë që njohin. Shpesh i “mban” duke i dhënë një besim shumë të thjeshtë, që e merr premtimin ashtu si është, dhe me besim vrapon dhe e çon çdo telash drejt e te Jezusi. Thjeshtësia e besimit të tyre i jep një shkallë të pazakontë mirëbesimi që i ngre mbi botën.
“Ai i mban qengjat në gji të Tij.” Këtu ka dashuri të pakufishme. A do t’i vinte vallë në gji të Tij nëse nuk do t’i kishte dashur aq shumë? Këtu ka shoqërim të përzemërt; aq afër janë sa nuk mund të ishin më afër. Këtu ka miqësi të shenjtë; ka shkëmbime dashurie të çmuara midis Krishtit dhe të dobëve të Tij. Këtu ka siguri të përkryer; në kraharorin e Tij kush mund t’i bëj keq vallë? Do t’i duhej të preknin Bariun së pari. Këtu ka prehje të përkryer dhe ngushëllim nga më i ëmbli. Me siguri që nuk jemi mjaftueshëm të ndjeshëm ndaj butësisë së pafundme të Jezusit!
15 maj-mëngjes
“Ai që beson është shfajësuar.”
{#Veprat 13 :39}
Besimtari në Krisht merr një shfajësim të tanishëm. Besimi nuk e prodhon këtë fryt dalëngadalë, por tani. Përderisa shfajësimi është rezultati i besimit, ai i jepet shpirtit në çastin kur shpirti i afrohet Krishtit dhe e pranon Atë si gjithçkaja e tij në gjithçka. A janë të shfajësuar tani ata që qëndrojnë përpara fronit të Perëndisë?—po ashtu dhe ne, po aq me vërtetësi dhe qartësi jemi të shfajësuar sa ata që ecin veshur me rroba të bardha dhe që këndojnë lavdërime plot melodi me harpa qiellore. Keqbërësi mbi kryq u shfajësua në çastin kur ai ktheu syrin e besimit te Jezusi; dhe Pali, plaku, mbas vitesh shërbimi, nuk ishte më shumë i shfajësuar se sa ishte keqbërësi që nuk shërbeu aspak. Sot ne jemi të pranuar në të Shumëdashurin, sot jemi të shlyer prej mëkatit, sot jemi të çliruar përpara Perëndisë në bankën e të akuzuarve.
Oh! mendim i mahnitshëm! Ka disa vile prej vreshtit të Eshkolit që nuk do të mund t’i mbledhim derisa të hyjmë në parajsë, por kjo është një degë që kalon mbi mur. Kjo nuk është si gruri i i asaj toke që nuk mund ta shijojmë kurrë derisa të kalojmë Jordanin, por është një pjesë e manës në shkretëtirë, një pjesë e ushqimit tonë të përditshëm që Perëndia na siguron në rrugëtimin tonë lart e poshtë. Ne jemi tani—akoma tani, të falur; edhe tani mëkatet tona janë të hequra; edhe tani ne qëndrojmë të pranuar nën syrin e Perëndisë, sikur të mos të kishim qenë kurrë fajtor. “Tani pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus.” Nuk ka as dhe një mëkat në Librin e Perëndisë, edhe tani, kundra njerëzve të Tij. Kush do të padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Nuk ka as pikë, as njollë, as rrudhë, as ndonjë gjë të ngjashme që mbetet mbi ndonjë besimtar përsa i përket çështjes së shfajësimit nën sytë e Gjykatësit të të gjithë tokës. Privilegji i tanishëm le të na zgjojë për detyrë të tanishme, dhe tani, ndërsa jeta zgjat, le të shpenzojmë dhe të shpenzohemi për Zotin tonë të ëmbël Jezus.
15 maj-mbrëmje
“U bënë të përsosur.”
{#Hebrenjve 12 :23}
Sill në mendje se ka dy lloj përsosjesh që i krishteri ka nevojë—përsosjen e shfajësimit në personin e Jezusit dhe përsosjen e shenjtërimit të kryer në të prej Frymës së Shenjtë. Në të tashmen, korruptimi akoma mbetet në gjirin e të ripërtëriturve—përvoja shpejt na e mëson këtë. Brenda nesh ka akoma epshe dhe përfytyrime të liga. Mirëpo gëzohem ndërsa di se dita po vjen kur Perëndia do ta përfundojë veprën që ka nisur dhe do të paraqesë shpirtin tim jo vetëm të përsosur në Krisht, por të përsosur përmes Frymës, pa njollë apo të metë, ose ndonjë gjë të ngjashme. A mund të jetë e vërtetë se kjo zemër e shkretë mëkatare imja do të bëhet e shenjtë po ashtu si dhe Perëndia është i shenjtë? A mund të jetë e mundur se kjo frymë që shpesh thërret, “Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” do të mund të heqë qafe mëkatin dhe vdekjen—se nuk do të kem më gjëra të këqija për të më vrarë veshin dhe mendime të pashenjta për të turbulluar paqen time?
Oh, orë e lumtur! Ardhsh sa më shpejt! Kur të kaloj Jordanin, vepra e shenjtërimit do të përfundojë, por ama deri në atë orë nuk do të klith përsosje për veten time. Atëherë fryma ime do të këtë pagëzimin e saj të fundit në zjarrin e Frymës së Shenjtë. Me zjarr po dëshiroj të marr atë pastrim përfundimtar që do të më paraqesë në parajsë. As dhe një engjëll nuk do të jetë më i pastër se mua, sepse do të mund të them, në kuptimin e dyfishtë, “Jam i pastër,” përmes gjakut të Jezusit dhe përmes veprës së Frymës. Oh, sa duhet që të madhërojmë pushtetin e Frymës së Shenjtë që na përgatit për të qëndruar përpara Atit në qiell! Prapëseprapë shpresa e përsosjes më pas, le të mos të na kënaqë me mungesën e përsosjes tani. Nëse është kështu, shpresa jonë nuk mund të jetë e vërtetë, sepse një shpresë e mirë është një gjë pastruese, edhe tani. Vepra e hirit duhet që të banojë brenda nesh tani ose përndryshe nuk mund të përsoset më pas. Le të lutemi që “të mbushemi me Frymë,” që të mund të japim akoma më shumë fryte drejtësie.
16 maj-mëngjes
“I cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar.”
{#1 Timoteut 6 :17}
Zoti ynë Jezus është gjithnjë duke dhënë dhe as dhe për një çast të vetëm nuk e tërheq dorën mbrapsht. Për aq gjatë sa ka një enë hiri jo akoma të mbushur plot, vaji nuk do të reshtë. Ai është një diell duke shkëlqyer përherë; Ai është manë duke rënë gjithmonë rreth kampit; Ai është një shkëmb në shkretëtirë, përherë duke nxjerrë rryma jete prej ijës së Tij të çarë; shiu i hirit të Tij është duke rënë gjithnjë; lumi i mirësisë së Tij rrjedh përherë dhe burimi i dashurisë së Tij është duke gufuar vazhdimisht. Po ashtu si Mbreti nuk mund të vdesë kurrë, po ashtu hiri i Tij nuk mund të sosë kurrë. Përditë këpusim frytet e tij dhe përditë degët e tij përkulen te duart tona me një rezervë të freskët mëshirë. Çdo ditë e Tij ka festa dhe bankete. Kush është kthyer vallë prej portës së Tij i pabekuar? Kush është ngritur vallë prej tryezës së Tij i pakënaqur, ose prej kraharorit të Tij i pa ngopur prej aromave të parajsës? Mëshirat e Tij janë të reja çdo mëngjes dhe të freskëta çdo mbrëmje.
Kush mund ta njohë vallë numrin e të mirave të Tij ose të tregojë listën e mirësive të Tij? Çdo grimcë që bie prej orës me rërë nuk është veçse ndjekësja e vonshme e miriada mëshirash. Krahët e orëve tona janë të mbuluara me argjendin e mirësisë së Tij dhe me arin e verdhë të dashurisë së Tij. Lumi i kohës sjell prej maleve të përjetësisë rërat e arta të favorit të Tij. Yjet e panumërta nuk janë veçse flamurmbajtësit e një ushtrie më të panumërt bekimesh. Kush mund ta llogarisë pluhurin e të mirave që Ai i jep Jakobit ose kush mund të flasë për numrin e një të katërtës të mëshirave të Tij ndaj Izraelit? Si vallë shpirti im do ta madhërojë Atë që përditë na ngarkon me mirësi dhe që na kurorëzon me dashamirësi? Oh, qoftë lavdërimi im po aq i pasosur sa mirësia e Tij! O gjuhë e mjerë, si mund të jesh e heshtur? Zgjohu, të lutem, në mënyrë që mos të të quaj turpi im, por lavdia ime. “Rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.”
16 maj-mbrëmje
“Atëherë ai tha: “Kështu flet Zoti: “Gërmoni shumë gropa në këtë luginë”. Sepse kështu thotë Zoti: “Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.”
{#2 Mbretërve 3 :16,17}
Ushtritë e tre mbretërve po shuheshin prej etjes. Perëndia po dërgonte ujin dhe me këto fjalë profeti lajmëroi bekimin e ardhshëm. Këtu kishte një rast pafuqie njerëzore; të gjithë njerëzit trima nuk mund të sillnin as dhe një pikë ujë prej qiejve ose ta gjenin në puset e tokës. Po ashtu njerëzit e Zotit shpesh humbasin fillin; ata shikojnë kotësinë e krijesës dhe mësojnë nga përjetimi se ku gjendet ndihma e tyre. Prapëseprapë njerëzit duhet që të përgatiteshin me besim për bekimin hyjnor; duhej që të gërmonin gropa që do të mbusheshin me ujin e çmuar. Kisha duhet me anë të veprime, përpjekjeve dhe lutjeve të saj të ndryshme të bëhet gati për t’u bekuar; ajo duhet që të gërmojë dhe Zoti do të mbushë gropat.
Kjo duhet bërë me besim, me siguri të plotë se bekimi është gati duke zbritur. Dalëngadalë kishte një dhënie të posaçme të mirësisë së nevojshme. Shiu nuk ra prej reve si në rastin e Elias, por gropat u mbushën në mënyrë misterioze dhe të qetë. Zoti ka mënyrat e Tij sovrane të veprimit; Ai nuk është i kufizuar përsa i përket mënyrës dhe kohës ashtu si ne, por bën ashtu si i pëlqen midis bijve të njerëzve. Na përket ne që të marrim prej Tij me mirënjohje dhe jo t’i japim urdhra. Ne duhet të dallojmë gjithashtu bollëkun e jashtëzakonshëm të furnizimit—kishte mjaftueshëm për nevojat e të gjithëve. Dhe po ashtu është me bekimin e ungjillit; të gjitha nevojat e bashkësisë dhe të gjithë Kishës do të plotësohen prej fuqisë hyjnore në përgjigje të lutjeve tona; dhe mbi të gjitha, shumë shpejt fitorja do t’i jepet ushtrive të Zotit. Çfarë jam duke bërë për Jezusin? Çfarë gropash po hap? O Zot, më bëj gati për të marrë bekimin që do aq shumë të japësh.
17 maj-mëngjes
“Duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur Ai.”
{#1 Gjoni 2 :6}
Pse të krishterët duhet që të imitojnë Krishtin? Ata duhet ta bëjnë këtë gjë për hir të vetes së tyre. Nëse dëshirojnë të jenë në një gjendje të shëndetshme shpirtërore—nëse do të donin t’i shpëtonin sëmundjes së mëkatit dhe të gëzonin forcën e hirit rritës, le të jetë Jezusi modeli i tyre. Për hir të vetë lumturisë së tyre nëse do të donin të pinin verë të rafinuar; nëse do të donin të gëzonin shoqërim të shenjtë dhe të lumtur me Jezusin; nëse do të donin të ngriheshin mbi shqetësimet dhe telashet e kësaj bote, le të ecin ashtu sikurse ka ecur Ai. Nuk ka asgjë që mund t’ju ndihmojë për të ecur drejt qiellit me hap të shpejtë sa vendosja e imazhit të Jezusit në zemrën tuaj për të sunduar të gjitha lëvizjet e saj. Kur, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë jeni të mundësuar të ecni me Jezusin në vetë hapat e Tij, atëherë jeni më të lumturit dhe dalloheni qartë se jeni bijtë e Perëndisë. Pjetri që qëndron larg është i pasigurt dhe në ankth.
Më pas, për hir të fesë, përpiquni të jeni si Jezusi. Ah! fe e gjore, je goditur rëndë nga armiq mizorë, por armiqtë e tu nuk të kanë plagosur aq rrezikshëm sa vetë miqtë e tu. Kush i bëri vallë ato plagë në dorën e hijshme të Perëndishmërisë? I ashtuquajtur besimtar që përdori kamën e hipokrizisë. Njeriu i shtirur që hyn në kope, duke qenë asgjë përveçse një ujk i veshur si dele, shqetëson kopenë më shumë se luani jashtë. Nuk ka armë as dhe gjysmë vdekjeprurëse sa puthja e Judës. Të ashtuquajtur besimtarë të paqëndrueshëm dëmtojnë ungjillin më shumë se kritika përqeshëse e jobesimtarit. Por, veçanërisht për hir të Krishtit, imito shembullin e Tij. I krishterë, a e do Shpëtimtarin tënd? A është emri i Tij i çmuar për ty? A është kauza e Tij e shtrenjtë për ty? A do të doje që mbretëritë e botës të bëheshin të Tijat? A është dëshira jote që Ai të lavdërohet? A po dëshiron me zjarr që shpirtrat të fitohen për Të? Nëse po, imito Jezusin; ji një “letër e Krishtit, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit.”
17 maj-mbrëmje
“Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur.”
{#Isaia 41 :9}
Nëse kemi marrë hirin e Perëndisë në zemrat tona, pasoja e tij praktike ka qenë se na bëri shërbëtorë të Perëndisë. Mund të jemi shërbëtorë jo besnikë, me siguri që jemi të padobishëm nëse do të ishim të tillë, por prapëseprapë i bekuar qoftë emri i Tij, ne jemi shërbëtorët e Tij, duke veshur rrobën e Tij, duke u ushqyer në tryezën e Tij dhe duke iu bindur urdhrave të Tij. Më parë ne ishim shërbëtorët e mëkatit, por Ai që na bëri të lirë, na ka marrë tani në familjen e Tij dhe na mësoi bindjen ndaj vullnetit të Tij. Ne nuk i shërbejmë Mjeshtrit tonë në mënyrë të përkryer, por do ta donim një gjë të tillë nëse do të mundnim. Ndërsa dëgjojmë zërin e Perëndisë duke na thënë, “ti je shërbëtori im,” ne mund të përgjigjemi me Davidin, “unë jam shërbëtori yt; Ti i këpute lidhjet e mia.” Por Zoti na thërret jo vetëm shërbëtorët e Tij, por të zgjedhurit e Tij—”Të kam zgjedhur.” Nuk e kemi zgjedhur ne së pari, por Ai na ka zgjedhur.
Nëse ne jemi tani shërbëtorë të Perëndisë, nuk ishim përherë kështu; ndryshimi duhet t’i numërohet hirit sovran. Syri i sovranitetit na veçoi dhe zëri i hirit të pandryshueshëm na shpalli, “të kam dashur me një dashuri të përjetshme.” Shumë më përpara se koha të fillonte dhe se hapësira të krijohej, Perëndia pati shkruar mbi zemrën e Tij emrat e njerëzve të Tij të zgjedhur, i pati paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij dhe i caktoi trashëgimtarë të të gjithë plotësisë së dashurisë, hirit dhe lavdisë së Tij. Çfarë ngushëllimi që ka këtu! A na ka dashur Zoti prej kaq gjatë dhe a do të na hidhte vallë tutje? Ai e dinte sa qafëfortë do të ishim, e kuptoi se zemrat tona ishin të liga dhe prapëseprapë bëri zgjedhjen. Ah! Shpëtimtari ynë nuk do duke u luhatur. Ai nuk ndjehet për pak kohë i magjepsur prej ndonjë shikimi të shkëlqyeshëm dhe të hijshëm nga kisha e Tij dhe më pas e hedh poshtë kishën për shkak të pabesisë së saj. Jo, Ai është martuar me të që nga përjetësia; dhe është e shkruar për Jehovain se “Ai e urren divorcin.” Zgjedhja e përjetshme na mban të lidhur me anë të mirënjohjes sonë dhe besnikërisë së Tij dhe asnjëra nga këto nuk mund ta mohojë dot.
18 maj-mëngjes
“Sepse tek Ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë, dhe ju keni marrë plotësinë në Të.”
{#Kolosianëve 2 :9,10}
Të gjitha atributet e Krishtit, si Perëndi dhe njeri, janë në dispozicionin tonë. E gjithë plotësia e Hyjnisë, çfarëdo qoftë që ajo fjalë e mrekullueshme mund të përfshijë, është e jona për të na bërë të plotë. Ai nuk mund të na dhurojë atributet e Hyjnisë, por Ai ka bërë gjithçka që mund të bëhet, sepse e ka kthyer madje edhe pushtetin e Tij hyjnor dhe Hyjninë në shërbim të shpëtimit tonë. Plotfuqishmëria, gjithëdija, gjithëprania, pandryshueshmëria dhe pagabueshmëria janë të gjitha të kombinuara për mbrojtjen tonë. Ngrihu besimtar dhe shiko Zotin Jezus duke mbrehur plotësinë e Hyjnisë së Tij në qerren e shpëtimit! Sa i gjerë hiri i Tij, sa e fortë besnikëria e Tij, sa e palëkundshme pandryshueshmëria e Tij, sa i pafund pushteti i Tij, sa e pakufishme njohuria e Tij! Të gjitha këto janë bërë me anë të Zotit Jezu Krisht shtyllat e tempullit të shpëtimit; dhe të gjitha, pa zvogëlim të pafundësisë se tyre, janë bërë me besëlidhje trashëgimia jonë e përhershme.
Çdo pikë e dashurisë së pahulumtueshme të zemrës së Shpëtimtarit është e jona; çdo dell në krahun e fuqisë, çdo gur i çmuar në kurorën e madhërisë, pafundësia e njohurisë hyjnore, vendosmëria e drejtësisë hyjnore, të gjitha janë tonat dhe do të përdoren për ne. Plotësia e Krishtit, në karakterin e Tij të adhurueshëm si Biri i Zotit na është lënë trashëgim prej vetë Atij, për ta gëzuar sa më shumë që të jetë e mundur. Urtësia e Tij është drejtimi ynë, njohuria e Tij mësimi ynë, pushteti i Tij mbrojtja jonë, drejtësia e tij siguria jonë, dashuria e Tij ngushëllimi ynë, mëshira e Tij ushqimi ynë, dhe pandryshueshmëria e Tij mirëbesimi ynë. Ai nuk ruan gjë, por hap fshehtësinë e Malit të Perëndisë dhe na urdhëron të gërmojmë në minierat e tij për thesare të fshehura. “Gjithçka, gjithçka, gjithçka është e juaja,” thotë Ai, “kënaquni me favore dhe plot me mirësinë e Zotit.” Oh! sa gjë e ëmbël kështu të shikosh Jezusin dhe t’i drejtohesh Atij me mirëbesimin e sigurtë se duke kërkuar ndërhyrjen e dashurisë dhe të pushtetit të Tij nuk jemi duke kërkuar veçse për atë që Ai tashmë ka premtuar besnikërisht.
18 maj-mbrëmje
“Më pas.”
{#Hebrenjve 12 :11}
Sa të lumtur janë më pas të krishterët e sprovuar. Nuk ka qetësi më të thellë se sa ajo që vjen mbas një stuhie. Kush nuk është gëzuar në rrezatimet e pastra mbas shiut? Banketet fitimtare janë për ushtarët që kanë luftuar fort. Mbasi vrasim luanin, ne hamë mjaltin; mbasi ngjisim Kodrën e Vështirësisë, ulemi nën lisin e prehjes; mbasi kalojmë Lëndinën e Përuljes, mbasi luftojmë me Apollonin, Shkëlqyesi shfaqet me degën shëruese prej pemës së jetës. Pikëllimet tona ashtu si kalimi i anijes mbi det, lënë mbrapa “më pas” një vijë të argjend drite të shenjtë. Është paqe, paqe e thellë dhe e ëmbël që ndjek rrëmujën që një herë mbretëroi në shpirtrat tonë fajtorë, të torturuar.
Shiko pra gjendjen e lumtur të një krishteri! Ai i ka gjërat më të mira në fund dhe prandaj në këtë botë merr së pari gjërat më të këqija. Por edhe gjërat e tij më të këqija janë “më pas” gjëra të mira; plugimi i vështirë jep më pas të korrura të gëzueshme. Edhe tani ai pasurohet me anë të humbjeve, ngrihet me anë rrëzimeve, jeton duke vdekur dhe mbushet duke u zbrazur; nëse atëherë, pikëllimet e tij të mëdha i japin në këtë jetë kaq shumë fryt paqësor, çfarë do të jetë vallë vjelja e plotë e gëzimit “më pas” në qiell? Nëse netët e tij të errëta janë po aq të ndritshme sa ditët e botës, si do të jene vallë ditët e tij? Edhe nëse drita e tij yjore është më e shkëlqyeshme se dielli, çfarë do të jetë vallë drita e tij e diellit? Nëse mund të këndojë në birucë, sa ëmbël do të këndojë në qiell!Nëse mund të lavdërojë Zotin në zjarre, sa shumë do ta madhërojë përpara fronit të përjetshëm! Nëse e liga është e mirë për të tani, çfarë do të jetë mirësia e bollshme e Perëndisë për të më pas? Oh, “më pas” e bekuar! Kush nuk do të donte të ishte një i krishterë? Kush nuk do të donte të mbante kryqin e tanishëm për kurorën që vjen më vonë? Por këtu ka punë për durimin, sepse prehja nuk është sot, po ashtu as triumfi për të tashmen, por “më pas.” Prit o shpirt dhe le të kryejë qëndrueshmëria në ty një vepër të përsosur.
19 maj-mëngjes
“Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.”
{#Predikuesi 10 :7}
Arrogantët dhe ambiciozët zakonisht uzurpojnë vendet më të larta, ndërsa ata që janë me të vërtetë të mëdhenj veniten në errësirë. Kjo është një enigmë e providencës zgjidhja e të cilës një ditë do të gëzojë zemrat e të drejtëve, por është një fakt aq i zakonshëm sa asnjeri nga ne nuk duhet të murmurisë nëse duhet të ndodhte që ky të ishte risku ynë. Kur Zoti ynë ishte mbi tokë, edhe pse Ai është Princi i mbretërve të tokës, prapëseprapë Ai eci në shtegun e rropatjes dhe shërbimit si Shërbëtori i shërbëtorëve; çfarë ka për t’u habitur nëse ndjekësit e Tij, që janë princa në gjak, duhet gjithashtu që të shikohen si njerëz të përbuzur dhe të ulët? Bota është së prapthi dhe prandaj të parët janë të fundit dhe të fundit të parët. Shikoni se si bijtë servilë të satanait mbahen rëndë mbi tokë! Çfarë kuajsh të lartë që ata kalërojnë! Sa lart që e ngrenë bririn e tyre!
Hamani është brenda në oborr ndërsa Mordekai ulet te porta; Davidi bredh mbi male, ndërsa Sauli mbretëron në luks; Elia po ankohet në shpellë ndërsa Jezebela po krekoset në pallat; prapëseprapë kush do të dëshironte të zinte vendet e rebelëve krenarë? Dhe kush, nga ana tjetër nuk do të lakmonte shenjtorët e përçmuar? Kur rrota rrotullohet, ata që janë poshtë ngrihen dhe më të lartët zhyten poshtë. Durim pra, besimtar, përjetësia do të ndreqë padrejtësitë e kohës. Le të mos biem në gabimin që të lejojmë pasionet dhe orekset tona mishore të kalërojnë në triumf ndërsa fuqitë tona më fisnike të ecin në pluhur. Hiri duhet të mbretërojë si princ dhe t’i bëjë gjymtyrët e trupit instrumente drejtësie. Fryma e Shenjtë e do rregullin dhe prandaj vendos fuqitë dhe cilësitë tona në vendin dhe rangun e duhur, duke i dhënë vend më shumë atyre cilësive shpirtërore që na lidhin me Mbretin e madh; le të mos prishim rregullin hyjnor, por të kërkojmë për hir që të mund të kontrollojmë trupin tonë dhe ta mbajmë të nënshtruar. Nuk u bëmë krijesa të reja me qëllim që të lejojmë pasionet tona të na sundojnë, por që si mbretër të mund të mbretërojmë në Krishtin Jezus mbi mbretërinë e trefishtë të frymës, shpirtit dhe trupit, në lavdi të Perëndisë At.
19 maj-mbrëmje
“Kërkoi të vdesë.”
{#1Mbretërve 19 :4}
Ishte një gjë e jashtëzakonshme që njeriu që nuk kishte për të vdekur kurrë, për të cilin Perëndia pati caktuar risk më të mirë, njeriu që duhej të çohej në qiell në një qerre prej zjarri, dhe të ngrihej në qiell, që të mos të njihte vdekjen—të mund të lutej kështu, “Merr jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi.” Këtu kemi një provë të paharrueshme se Perëndia nuk i përgjigjet gjithmonë lutjeve fjalë për fjalë edhe pse faktikisht i përgjigjet gjithmonë. Ai i dha Elias diçka më të mirë se ajo që ai kërkoi dhe në këtë mënyrë e dëgjoi me të vërtetë dhe iu përgjigj. Ishte e çuditshme që zemërluani Elia të mund të ishte aq zemërlëshuar prej kërcënimit të Jezebelit sa të kërkonte të vdiste dhe sa gjë e bekuar që ishte nga ana e Atit tonë qiellor që nuk ia plotësoi kërkesën fjalë për fjalë shërbëtorit të Tij të dëshpëruar.
Ka një kufi në doktrinën e lutjes me besim. Nuk duhet të presim që Perëndia do të na japë gjithçka që zgjedhim të kërkojmë. E dimë se ndonjëherë kërkojmë dhe nuk marrim sepse kërkojmë keq. Nëse kërkojmë për atë që nuk është e premtuar—nëse shkojmë kundra frymës që Zoti do të donte të lëvrojmë—nëse kërkojmë kundra vullnetit të Tij, ose kundra dekreteve të providencës së Tij—nëse kërkojmë thjesht për kënaqësinë e vetë rehatit tonë dhe pa ndonjë sy te lavdia e Tij, nuk duhet të presim se do të marrim ndonjë gjë. Prapëseprapë nëse kërkojmë me besim, pa dyshuar asgjë, nëse nuk marrim gjënë e saktë të kërkuar, do të marrim për të një të barasvlershme dhe më shumë se të barasvlershme. Ashtu si dikush vëren, “Nëse Zoti nuk paguan me argjend, do të paguajë me ar; dhe nëse nuk paguan me ar, do të paguajë me diamante.” Nëse nuk ju jep saktësisht atë që keni kërkuar, do t’ju japë atë që është e njëllojtë me të, dhe atë që do të marrësh si zëvendësim, do të të gëzojë shumë. Ji shumë në lutje lexues i dashur dhe bëje këtë mbrëmje një periudhë ndërhyrjeje të zellshme, por ki kujdes për atë që kërkon.
20 maj-mëngjes
“Mirësinë Tënde të mrekullueshme.”
{#Psalmi 17 :7}
Kur japim lëmoshë me zemër, japim ashtu si duhet, por shpesh na duhet të pranojmë dështimin tonë në lidhje me këtë gjë. Nuk është kështu me Mjeshtrin dhe Zotin tonë. Favoret e Tij realizohen gjithmonë me dashurinë e zemrës së Tij. Ai nuk na dërgon ushqim bajat dhe copa të mbetura prej tryezës së bollëkut të Tij, por Ai e ngjyen kafshatën tonë në vetë pjatën e Tij dhe ngre shijen e ushqimeve tona me erëzat e ndjenjave të Tij kundërmuese. Kur Ai vendos shenjat e arta të hirit të Tij në pëllëmbët tona, e shoqëron dhuratën me një prekje kaq të ngrohtë të dorës sonë sa mënyra e dhënies së Tij është po aq e çmueshme sa vetë favori i dhënë.
Ai do të vijë në shtëpitë tona bashkë me dhuratat e Tij të mirësisë dhe nuk do të sillet ashtu si bëjnë ca vizitorë të zymtë në kasollen e njeriut të varfër, por Ai ulet krah për krah duke mos përçmuar varfërinë tonë dhe duke mos qortuar dobësinë tonë. Të dashur, shikoni buzëqeshjen e Tij kur flet! Çfarë fjalësh të arta bien prej buzëve të Tij të hirshme! Çfarë përqafimesh dashurie që na jep! Edhe sikur të na jepte veç ca qindarka, mënyra e Tij e dhënies do t’i kishte praruar ato, ndërsa vetë lëmosha e kushtueshme është e vendosur në një shportë të artë prej kujdesit të Tij të dashur. Është e pamundur të dyshosh sinqeritetin e mëshirës së Tij, sepse ka një zemër të gjakosur që është e shtypur mbi fytyrën e të gjitha lëmoshave të Tij. Ai jep falas dhe nuk qorton. As dhe një aluzion se jemi barrë për Të; as dhe një shikim të ftohtë për të varfrit e Tij, por Ai gëzohet në mëshirën e Tij, dhe na shtrëngon në kraharorin e Tij ndërsa po derdh jetën e Tij për ne. Ka një aromë në livandën e Tij që asgjë përveç zemrës së Tij nuk mund të prodhojë; ka një ëmbëlsi në huallin e Tij që nuk mund të ishte aty nëse vetë thelbi i ndjenjave të shpirtit të Tij nuk do të ishte përzier me të. Oh! bashkësia e rrallë që realizon një dashuri e tillë e veçantë! E shijofshim dhe e njohshim vazhdimisht bekueshmërinë e saj.
20 maj-mbrëmje
“Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie.”
{#Osea 11 :4}
Ati ynë qiellor shpesh na tërheq me litarë dashurie, por ah! sa të vonuar që jemi për të shkuar te Ai! Sa ngadalë që i përgjigjemi shtytjeve të Tij të buta! Ai na tërheq për të ushtruar një besim më të thjeshtë te Ai, por akoma nuk kemi arritur te mirëbesimi i Abrahamit; nuk ia lëmë Perëndisë shqetësimet e kësaj bote, por ashtu si Marta ne rëndojmë veten duke shërbyer shumë. Besimi ynë thatim sjell dobësi në shpirtrat tanë; nuk e hapim gojën tonë gjerë e gjatë edhe pse Perëndia ka premtuar ta mbushë. A nuk na tërheq vallë këtë mbrëmje për ta vendosur besimin te Ai? A nuk mund ta dëgjojmë ndërsa thotë, “Eja, fëmija im, vendose besimin tënd tek Unë. Veli u shqye në dy pjesë; hyr në praninë Time dhe afrohu me guxim te froni i hirit Tim. Jam i denjë për mirëbesimin tënd më të plotë, hidh shqetësimet e tua te Unë. Shkunde pluhurin e shqetësimeve të tua dhe vish rrobat e tua të bukura të gëzimit.”
Por, sa keq! edhe pse të thirrur me tone dashurie për ushtrimin e bekuar të këtij hiri ngushëllues, ne nuk vijmë. Në një periudhë tjetër, Ai na tërheq për shoqërim më të ngushtë me Të. Kemi qenë ulur në pragun e shtëpisë së Perëndisë dhe na urdhëron të përparojmë në sallonin e banketeve dhe të darkojmë me Të, por ne nuk e pranojmë nderin. Ka dhoma të fshehta jo akoma të hapura për ne; Jezusi na fton për të hyrë aty brenda, por ne zmbrapsemi. Turp zemrave tona të ftohta! E duam kaq dobët Jezusin tonë të ëmbël, nuk jemi të përshtatshëm për të qenë shërbëtorët e Tij, aq më pak për të qenë nuset e Tij dhe prapëseprapë Ai na madhëroi për të qenë kockë e kockave të Tij dhe mish i mishit të Tij, të martuar me Të me anë të një besëlidhjeje të lavdishme martese. Këtu ka dashuri! Por është dashuri që nuk pranon mohimin. Nëse nuk i bindemi tërheqjeve të buta të dashurisë së Tij, Ai do të dërgojë dhembjen për të na sjellë në një lidhje më të ngushtë me Të. Ai do që të na ketë më afër. Sa bij të pamend që jemi që kundërshtojmë lidhjet e dashurisë dhe kështu sjellim mbi kurrizet tona atë kamxhik që Jezusi di si ta përdori!
21 maj-mëngjes
“Nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.”
{#1 Pjetri 2 :3}
“Nëse”–atëherë, kjo nuk është një gjë për t’u konsideruar si e mirëqenë për secilin që i përket racës njerëzore. “Nëse:”—atëherë ka një mundësi dhe një probabilitet se disa nuk e kanë shijuar mirësinë e Zotit. “Nëse:”—atëherë kjo nuk është një mëshirë e përgjithshme, por një mëshirë e veçantë; dhe është e nevojshme të vetë ekzaminohemi nëse e njohim apo jo hirin e Perëndisë me anë të një përjetimi të brendshëm. Nuk ka favor shpirtëror që nuk mund të jetë objekt zemër ekzaminimi. Por ndërsa kjo duhet të jetë objekt hetimi plot me lutje dhe zell, asnjë nuk duhet të jetë i kënaqur ndërsa ka ndonjë gjë të tillë si “nëse” në lidhje me të shijuarin se Zoti është i mirë. Një mosbesim i shenjtë dhe xheloz i vetes mund të ngrejë pyetjen edhe në zemrën e besimtarit, por vazhdimi i një dyshimi të tillë do të ishte me të vërtetë një gjë e keqe. Nuk duhet të prehemi pa një betejë të fuqishme për ta mbërthyer Shpëtimtarin me krahët e besimit dhe të themi, “sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se Ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.”
Mos pusho o besimtar, derisa të kesh një siguri të plotë të pjesëmarrjes tënde në Jezus. Asgjë të mos të të kënaqë derisa me anë të dëshmisë së pagabueshme të Frymës së Shenjtë duke i dhënë dëshmi frymës tënde, të sigurohesh se je një fëmijë i Perëndisë. Oh, mos e merr lehtë këtë gjë; “ndoshta-t” dhe “nëse-t” le të mos kënaqin shpirtin tënd. Ndërto mbi të vërteta të përjetshme dhe ndërto me të vërtetë mbi to. Merr mëshirat e sigurta të Davidit dhe merri me siguri. Hidh spirancën tënde në atë që është brenda velit dhe ki kujdes që shpirti yt të lidhet me spirancën me një kabllo që nuk këputet. Përparo përtej këtyre “nëse-ve” të kobshme; mos qëndro më në shkretëtirën e dyshimeve dhe frikave; kalo Jordanin e mosbesimit dhe hyr në Kananin e paqes ku kananasit kanë mbetur akoma, por ku toka nuk pushon të rrjedhë me qumësht dhe mjaltë.
21 maj-mbrëmje
“Në Egjipt ka grurë.”
{#Zanafilla 42:2}
Zia e bukës zuri të gjitha kombet dhe kjo dukej e pashmangshme edhe për Jakobin dhe familjen e tij, por Perëndia i providencës, që nuk harron kurrë subjektet e dashurisë zgjedhëse, pati mbledhur në depo grurë për popullin e Tij duke i dhënë egjiptasve paralajmërime për mungesën e grurit dhe duke i drejtuar për të grumbulluar grurin e viteve të bollëkut. Jakobi pak e priste çlirimin prej Egjiptit, por ama atje kishte për të grurë në depo. Besimtar, edhe pse të gjithë gjërat janë në pamje të parë kundra teje, qëndro i sigurtë se Perëndia ka ruajtur diçka në emrin tënd; në listën e vuajtjeve të tua ka një klauzolë shpëtimtare. Ai do ta gjejë mënyrën për të të çliruar dhe vendin për të të furnizuar.
Andej nga shpëtimi yt do të vijë, mund të jetë e papritur për ty, por ndihma me siguri që do të vijë në skajin ku ke arritur dhe do të madhërosh emrin e Zotit. Nëse nuk ushqehesh nga njerëzit, do të ushqehesh nga korbat; dhe nëse toka nuk jep grurë, qielli do të lëshojë manë. Prandaj merr zemër dhe prehu qetësisht në Zotin. Perëndia mund ta bëjë diellin të lindë në perëndim nëse i pëlqen dhe ta bëjë burimin e trishtimit kanalin e kënaqësisë. Gruri në Egjipt ishte i gjithë në duart e Jozefit të dashur; Ai i hapte dhe i mbyllte hambarët si të donte. Dhe po ashtu, pasuritë e providencës janë të gjitha nën pushtetin absolut të Zotit tonë Jezus, i Cili do t’ia japë popullit të Tij me bujari. Jozefi ishte më se gati për të ndihmuar vetë familjen e Tij; dhe Jezusi nuk resht të përkujdeset besnikërisht për vëllezërit e Tij. Është puna jonë që të kërkojmë ndihmën e dhënë për ne; nuk duhet të ulemi këmbëkryq në dëshpërim, por duhet të lëvizim. Lutja do të na shpjerë së shpejti në praninë e Vëllait tonë mbretëror; sapo të jemi përpara fronit të Tij nuk kemi veçse të kërkojmë dhe do të kemi; depot e Tij nuk janë të shteruara; ka akoma grurë; zemra e Tij nuk është e ngurtë, do të na japë grurin. Zot, na fal mosbesimin tonë dhe këtë mbrëmje na shty të tërheqim me shumicë prej plotësisë Tënde dhe të marrim hir mbas hiri.
22 maj-mëngjes
“Dhe i çoi në rrugën e drejtë.”
{#Psalmi 107 :7}
Përjetimi i ndryshueshëm shpesh e shpie besimtarin në ankth të pyesë veten “pse është kështu vallë me mua?” Kërkova për dritë, por ja, erdhi errësira; kërkova për paqe, por ja veç telash. Thashë në zemrën time, mali im qëndron i patundur, nuk do të lëkundem kurrë. Zot, e fshehe fytyrën Tënde dhe u shastisa. Ishte veç dje kur mund të lexoja qartë emrin tim; sot, provat se jam i krishterë janë të venitura dhe shpresat e mia janë mbuluar me re. Dje mund të ngjitesha në majë të Pisgës dhe të shikoja peizazhin dhe të gëzohesha me mirëbesim në trashëgiminë time të ardhshme; sot, fryma ime nuk ka shpresa, por veç shumë druajtje; asnjë gëzim, por shumë trishtim. A është kjo gjë pjesë e planit të Perëndisë për mua? A mund të jetë kjo mënyra se si Perëndia do të më sjellë në parajsë? Po, është pikërisht kështu.
Eklipsi i besimit tënd, errësimi i mendjes tënde, mekja e shpresës tënde, të gjitha këto gjëra janë pjesë e metodës së Perëndisë për të të bërë të pjekur për trashëgiminë e madhe ku do të hysh së shpejti. Këto sprova janë për vërtetimin dhe forcimin e besimit tënd—ato janë dallgë që të shtyjnë më tutje—janë erëra që shtyjnë anijen tënde më me shpejtësi drejt limanit të dëshiruar. Sipas fjalëve të Davidit, po ashtu mund të thuhet për ty, “Ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.” Me anë të nderit dhe çnderimit, me anë të fjalëve të mira dhe të këqija, me anë të bollëkut dhe varfërisë, me anë të gëzimit dhe trishtimit, me anë të persekutimit dhe paqes, me anë të gjitha këtyre gjërave mbahet jeta e shpirtrave tuaj, dhe me secilën prej këtyre gjërave ju ndihmoheni në shtegun tuaj. Oh, mos mendo, besimtar se trishtimet e tua janë jashtë planit të Perëndisë; ato janë pjesë e nevojshme e tij. “Me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.” Mësoni atëherë edhe në këto raste “ta konsideroni një gëzim të madh, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet.”
Shpirti im drithërues qoftë i qetë
Duke pritur vullnetin tënd të urtë të shenjtë
Zot, qëllimin tënd s’e dalloj
Prapëseprapë gjithçka gëzoj
Përderisa Ti thua “Unë drejtoj”
22 maj-mbrëmje
“Sa i bukur je, i dashuri im.”
{#Kantiku i kantikëve 1 :16}
Nga çdo këndvështrim i Shumëdashuri ynë është tejet i hijshëm. Përjetimet tona të ndryshme janë synuar prej Atit tonë qiellor për të na dhënë pikëpamje të freskëta prej të cilave ne mund të shikojmë hijeshinë e Jezusit; sa të këndshme që janë sprovat tona kur na ngrenë lart, nga ku mund të fitojmë vështrime më të qarta të Jezusit se sa jeta e zakonshme mund të na japë! Ne e kemi parë Atë prej majës së Amanas, prej majës së Senirit dhe Hermonit dhe Ai ka shkëlqyer mbi ne si dielli në forcën e tij, por e kemi parë gjithashtu që prej “strofullës së luanëve,” që prej maleve të leopardëve, dhe Ai nuk ka humbur asgjë prej bukurisë së Tij. Që prej rënkimit të sëmurë në një shtrat, që prej pragut të varrit, kemi kthyer sytë tanë te bashkëshorti i shpirtit tonë dhe Ai kurrë nuk ka qenë ndryshe veçse “sa i bukur.” Shumë prej shenjtorëve të Tij e kanë parë që prej zymtisë së birucave dhe prej flakëve të zjarrit të shtyllës së turrës të druve, prapëseprapë ata kurrë nuk kanë shqiptuar ndonjë fjalë të keqe për Të, por kanë vdekur duke madhëruar hiret e Tij të pashoqe.
Oh, ç’kohëzënie e këndshme dhe fisnike përherë të vështrosh Zotin tënd të ëmbël Jezus! A nuk është një ëndje e jashtëzakonshme të shikosh Shpëtimtarin në të gjitha ofiqet e Tij dhe ta konsiderosh si të pashoq në secilin prej tyre?—të lëvizësh kaleidoskopin dhe të gjesh kombinime të reja hiresh të pakrahasueshme? Në grazhd dhe në përjetësi, mbi kryq dhe mbi fron, në kopsht dhe në mbretërinë e Tij, midis keqbërësve ose mes kerubinëve, Ai është në çdo gjë “tërheqës në çdo pikëpamje.” Shqyrto me kujdes çdo veprim të vogël të jetës së Tij dhe çdo tipar të karakterit të Tij dhe Ai është po aq i bukur në gjërat e vogla sa edhe në ato madhështore. Gjykoheni si të doni, nuk mund ta kritikoni dot; peshoheni si të pëlqeni dhe nuk do t’i mungojë gjë. Përjetësia nuk do të zbulojë dot hijen e ndonjë njolle në të Shumëdashurin tonë, por përndryshe, teksa kohërat kalojnë, lavditë e Tij të fshehura do të shndrisin me shkëlqim akoma më shumë të papërfytyrueshëm dhe hijeshia e Tij e pashprehshme do të mrekullojë akoma më shumë të gjitha mendjet qiellore.
23 maj-mëngjes
“Zoti do të kryejë veprën e Tij tek unë.”
{#Psalmi 138 :8}
Është më se e qartë se mirëbesimi që Psalmisti shprehu këtu ishte një mirëbesim hyjnor. Ai nuk tha, “kam hir mjaftueshëm për të kryer veprën tek unë—besimi im është kaq i qëndrueshëm sa nuk do të lëkundet—dashuria ime është kaq e ngrohtë sa nuk do të bëhet kurrë e ftohtë—vendosmëria ime është kaq e fortë sa asgjë nuk do të mund ta lëvizë; jo, varësia e tij ishte vetëm te Zoti. Nëse i lejojmë vetes ndonjë mirëbesim që nuk është i themeluar mbi Shkëmbin e kohërave, mirëbesimi ynë është më keq se një ëndërr, do të bjerë mbi ne dhe do të na mbulojë me rrënojat e tij, për pikëllimin dhe turpin tonë.
Gjithçka që natyra njerëzore do të tjerrë, koha do ta shthurë, për turpin e përjetshëm të atyre që janë të veshur me veshjet e saj. Psalmisti ishte i urtë, ai nuk u preh mbi asgjë tjetër përveçse te vepra e Zotit. Është Zoti Ai që ka nisur veprën e mirë përbrenda nesh; është Ai që e ka vazhduar dhe nëse Ai nuk e përfundon, nuk do të jetë kurrë e plotë. Nëse do të thurnim vetë qoftë veç një syth në veshjen qiellore të drejtësisë sonë, atëherë jemi të humbur, por ky është mirëbesimi ynë se Zoti që e nisi punën do ta përfundojë. Ai e ka kryer atë të gjithë, duhet ta kryejë të gjithë dhe do ta kryejë të gjithë. Mirëbesimi ynë nuk duhet të vendoset në atë që kemi bërë as në atë që kemi vendosur të bëjmë, por krejtësisht në atë që Zoti do të bëjë. Mosbesimi hedh fjalën, “kurrë nuk do të mundesh që të qëndrosh me këmbë. Shiko ligësinë e zemrës tënde, nuk mund ta mposhtësh kurrë mëkatin; kujto kënaqësitë dhe tundimet mëkatare të botës që të rrethojnë, me siguri që do të joshesh prej tyre dhe do të dalësh nga udha.” Ah! Po, me siguri që do të vdisnim nëse do të liheshim në vetë forcën tonë. Nëse do të na duhej të lundronim me varkat tona të brishta mbi një det kaq të tërbuar, me siguri që do të hiqnim dorë prej udhëtimit të dëshpëruar, por faleminderit Perëndisë, Ai do ta kryejë veprën e Tij tek ne dhe do të na sjellë në limanin e dëshiruar. Kurrë nuk mund të jemi me më tepër besim se ç’duhet kur besojmë vetëm te Ai dhe kurrë nuk jemi më tepër të kujdesshëm se ç’duhet për të pasur një besim të tillë.
23 maj-mbrëmje
“Nuk më ke blerë me para kanellën.”
{#Isaia 43 :24}
Adhuruesit në tempull ishin të mësuar të sillnin dhurata parfumesh të mira për t’u djegur mbi altarin e Perëndisë, por Izraeli, në kohën e pabesisë së tij, nuk ishte më bujar dhe i bëri veç pak flijime përkushtimi Zotit të tij; kjo ishte një dëshmi e ftohtësisë së zemrës kundrejt Perëndisë dhe shtëpisë së Tij. Lexues, a nuk të ndodh vallë kjo gjë? A nuk vlen kjo ankesë në këtë tekst edhe për ty? Ata që janë të varfër, nëse janë të pasur në besim, nuk do të pranoheshin më pak ngaqë dhuratat e tyre janë të vogla; po ti lexues i varfër, a i jep Zotit në përpjesëtimin e duhur, apo dy paret e së vesë kanë mbetur jashtë thesarit të shenjtë? Besimtari i pasur duhet të jetë mirënjohës për talentin që i është besuar, por nuk duhet të harrojë përgjegjësinë e tij të madhe, sepse atje ku shumë është dhënë do të kërkohet shumë; lexues i pasur, a tregon kujdes në lidhje me detyrimet e tua dhe a po ia kthen Zotit sipas të mirës që ke marrë? Jezusi dha gjakun e Tij për ne, po ne çfarë do t’i japim?
Ne vetë dhe gjithçka që zotërojmë i përket Atij, sepse Ai na ka blerë për veten e Tij—a do të vepronim sikur ne t’i përkisnim vetes? Oh për më shumë përkushtim dhe për këtë qëllim, oh për më shumë dashuri! Jezus i dashur, sa dashamirëse që është nga ana Jote të pranosh kanellën tonë të blerë me para! Asnjë haraç nuk është tepër i kushtueshëm për dashurinë tënde të pashoqe dhe prapëseprapë Ti pranon me sytë të mirë edhe më të voglën shenjë të sinqertë dashurie! Ti i pranon dëshmitë tona të dashurisë sikur të ishin thelbësisht të çmuar edhe pse ato janë si tufë me lule të egra që një fëmijë i sjell nënës së tij. Mos u bëfshim kurrë kurnac ndaj Teje dhe që prej këtij çasti mos të dëgjofshim kurrë të ankohesh për ne, për shkak se kemi kursyer dhuratat e dashurisë sonë. Do të të japim frytet e para të rritjes sonë dhe do të të paguajmë të dhjetën e gjithçkaje dhe më pas do të të rrëfejmë “ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.”
24 maj-mëngjes
“Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time.”
{#Psalmi 66:20}
Duke kthyer shikimin në karakterin e lutjeve tona, nëse e bëjmë këtë gjë sinqerisht, do të mbusheshim me habi që Perëndia u është përgjigjur herë pas here. Mund të ketë disa që i mendojnë lutjet e tyre të denja për t’u pranuar—ashtu si farisenjtë, por i krishteri i vërtetë, me një retrospektivë më të ndriçuar, qan për lutjet e tij dhe nëse do të mundte të zmbrapste hapat e tij do të dëshironte të lutej më me zell. Kujto, i krishterë, sa të ftohta kanë qenë lutjet e tua. Kur në kthinën tënde duhej që të kishe luftuar ashtu si bëri Jakobi, por në vend të kësaj peticionet e tua kanë qenë të mekura dhe të pakta—shumë larg prej atij besimi këmbëngulës, mirëbesues e të përulur që thërret, “Nuk do të të lë të shkosh, në rast se nuk më bekon më parë!” Prapëseprapë, gjë e mrekullueshme kjo, Perëndia ka dëgjuar këto lutje të ftohta të tuat dhe jo vetëm që i ka dëgjuar, por u është përgjigjur.
Mendo gjithashtu, se sa të rralla kanë qenë lutjet e tua, përveçse kur ke qenë në hall dhe atëherë ke shkuar shpesh te froni i mëshirës, por kur çlirimi ka ardhur, ku ka qenë përgjërimi yt i vazhdueshëm? Prapëseprapë megjithëse ke reshtur të lutesh ashtu si më parë, Perëndia nuk ka sosur të të bekojë. Kur ke lënë pas dore fronin e mëshirës, Perëndia nuk të ka braktisur, por drita e shkëlqyeshme e Shekinas ka qenë përherë e dukshme midis krahëve të kerubinëve. Oh! Është e mrekullueshme që Zoti i konsideron ato spazma të herëpashershme përgjërimesh që vijnë e shkojnë sipas nevojave tona. Çfarë Perëndi që është Ai që dëgjon lutjet e atyre që vijnë te Ai kur kanë nevoja të ngutshme, por e lënë pas dorë kur kanë marrë një hir; që i afrohen kur janë të shtrënguar të vijnë, por që pothuajse harrojnë t’i drejtohen kur mëshirat janë me bollëk dhe trishtimet janë të pakta. Mirësia e Tij e hirshme që dëgjon të tilla lutje, prektë zemrat tona në mënyrë të tillë që këtej e tutje të gjendemi “duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën.”
24 maj-mbrëmje
“Silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit.”
{#Filipianëve 1 :27}
Fjala “sjellje” nuk do të thotë thjesht se si sillemi me dikë, por e gjithë rrjedha jonë e jetës dhe e sjelljes sonë në botë. Fjala greke do të thotë veprimet dhe privilegjet e qytetarisë dhe kështu ne jemi të urdhëruar që veprimet tona, duke qenë qytetarë të Jeruzalemit të Ri, të jenë të denja në ungjillin e Krishtit. Çfarë lloj sjelljeje është kjo? Në radhë të parë, ungjilli është shumë i thjeshtë. Po ashtu të krishterët duhet të jenë të thjeshtë dhe të sinqertë në mënyrat e tyre. Duhet të ketë në lidhje me mënyrat tona, fjalimin tonë, veshjen tonë, të gjithë sjelljen tonë po atë thjeshtësi që është vetë shpirti i bukurisë. Ungjilli është i vërtetë në mënyrë të spikatur, është ar pa ndryshk dhe jeta e krishterë do të ishte pa shkëlqim dhe e pavlerë pa gurin e çmuar të së vërtetës. Ungjilli është një ungjill tejet i patrembur, ai shpall me guxim të vërtetën, e pëlqefshin njerëzit apo jo; ne duhet të jemi njëlloj besnikë dhe të paepur.
Por ungjilli është gjithashtu tejet i butë. Vëreje këtë frymë në Themeluesin e tij: “nuk do ta copëtojë kallamin e thyer.” Disa të ashtuquajtur besimtarë janë më të mprehtë se sa një gardh me ferra; njerëz të tillë nuk janë si Jezusi. Le të kërkojmë të fitojmë të tjerët me anë të butësisë së fjalëve dhe veprimeve tona. Ungjilli është shumë i dashur. Është mesazhi i Perëndisë të dashurisë për një racë të rënë dhe të humbur. Porosia e fundit e Krishtit ndaj dishepujve të Tij ishte, “ta doni njëri-tjetrin.” Oh për më shumë bashkësi reale e të përzemërt dhe dashuri ndaj të gjithë shenjtorëve; për më tepër zemërdhembshuri të butë ndaj shpirtrave të njerëzve më të këqij e më të poshtër! Nuk duhet të harrojmë se ungjilli i Krishtit është i shenjtë. Nuk e justifikon kurrë mëkatin; e fal atë, por veçse me anë të shlyerjes. Nëse jeta jonë duhet që t’i shëmbëllejë ungjillit, duhet që të shmangë jo vetëm veset më të mëdha, por çdo gjë që do të mund të pengonte shëmbëlltyrën tonë të përkryer me Krishtin. Për hir të Tij, për hirin tonë dhe për hirin e të tjerëve, duhet të përpiqemi ditë për ditë që sjellja jonë të jetë më shumë në përputhje me ungjillin.
25 maj-mëngjes
“O Zot, mos më braktis.”
{#Psalmi 38 :21}
Shpesh i lutemi Perëndisë që të mos na braktisë në orën e sprovës dhe tundimit, por shpesh harrojmë se kemi nevojë të përdorim këtë lutje në çdo kohë. Nuk ka çast në jetën tonë sado i shenjtë, kur mund të bëjmë pa mbështetjen e Tij të vazhdueshme. Qoftë në dritë apo në errësirë, në shoqërim ose në tundim, ne kemi nevojë njëlloj për t’u lutur, “O Zot, mos më braktis.” “Përforcomë dhe unë do të shpëtoj.” Një fëmijë i vogël, ndërsa mëson të ecë, ka nevojë gjithmonë për ndihmën e një të rrituri. Anija që braktiset prej kapitenit largohet menjëherë prej kursit të saj. Nuk mund të veprojmë pa ndihmë të vazhdueshme nga lart; le të jetë pra lutja jote sot, “Mos më braktis. At mos e braktis fëmijën tënd, përndryshe do të binte në dorën e armikut. Bari, mos e braktis qengjin, përndryshe do të hallakatej larg sigurisë së kopesë. Bujk i madh, mos e braktis bimën tënde, përndryshe do të thahej dhe do të vdiste. “O Zot, mos më braktis,” tani; dhe mos më braktis në asnjë çast të jetës sime.
Mos më braktis në gëzimet e mia, përndryshe do ta bënin për vete zemrën time. Mos më braktis në pikëllimet e mia, përndryshe do të murmurisja kundra Teje. Mos më braktis në ditën e pendimit tim, përndryshe do të humbisja shpresën e faljes dhe do të bija në dëshpërim; dhe mos më braktis në ditën e besimit tim më të fortë, përndryshe besimi im do të shndërrohej në mendjemadhësi. Mos më braktis se pa Ty jam i dobët dhe me Ty jam i fortë. Mos më braktis se udha ime është e rrezikshme, dhe plot me kurthe dhe nuk mund të veproj pa udhëheqjen Tënde. Klloçka nuk i braktis të vegjlit e saj; më mbulo akoma e më shumë me puplat e tua dhe më lejo të gjej strehë nën krahët e tu. “Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.” “Mos më lër dhe mos më braktis, O Perëndi i shpëtimit tim!”
O përherë në zemrën tonë të pastruar
Fryma Jote e përjetshme duke qëndruar
Dhe bëje shpirtin tonë të fshehtë
Një tempull Për Ty të pastër dhe të shenjtë.
25 maj-mbrëmje
“Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem…ata atëherë treguan ç`u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur.”
{#Lluka 24 :33,35}
Kur të dy dishepujt patën arritur Emausin dhe po merrnin veten me vaktin e mbrëmjes, i huaji misterioz që i pati mrekulluar gjatë rrugës mori bukën dhe e theu, iu bë i njohur dhe më pas u zhduk prej shikimit të tyre. E patën nxitur të qëndronte me ta, sepse dita po kalonte, por edhe pse ishte fundi i ditës, dashuria e tyre ishte një llambë nën këmbët e tyre, po, madje i kishte bërë me krahë; ata harruan errësirën, lodhja e tyre iku e tëra dhe menjëherë udhëtuan sërish për të treguar lajmin e gëzueshëm të një Zoti të ngjallur që i që shfaqur gjatë rrugës. Ata arritën të krishterët ne Jeruzalem dhe u pritën me një shpërthim lajmesh të mira përpara se të mundnin të flisnin. Këta të krishterë të hershëm ishin të zjarrtë tek flisnin për ringjalljen e Krishtit dhe të shpallnin çka njihnin për Zotin; ata ndanë përjetimet e tyre të përbashkëta. Këtë mbrëmje shembulli i tyre na lëntë mbresa thellësisht. Edhe ne duhet që të japim dëshminë tonë në lidhje me Jezusin.
Tregimi i Gjonit për varrin kishte nevojë të plotësohej prej Pjetrit; dhe Maria mund të fliste për diçka më shumë akoma; të kombinuara, ne kemi një dëshmi të plotë nga ku asgjë nuk mund të lihet jashtë. Secili prej nesh ka marrë gjëra të veçanta dhe shfaqje të veçanta, por qëllimi i njëjtë i Perëndisë është përkryerja e gjithë trupit të Krishtit. Prandaj ne duhet të sjellim zotërimet tona shpirtërore dhe t’i shpiem nën këmbët e apostujve dhe t’i shpërndajmë të gjithëve gjithçka që Perëndia na ka dhënë. Mos mbaj asnjë pjesë të së vërtetës së çmuar, por fol çfarë di dhe dëshmo çfarë ke parë. Puna e rëndë ose errësira, ose mosbesimi i mundshëm i miqve të tu mos peshoftë as dhe një çast në peshore. Ngrehu lart dhe marsho përpara në vendin e detyrës dhe atje thuaj çfarë gjërash të mëdha Perëndia i ka treguar shpirtit tënd.
26 maj-mëngjes
“Hidh mbi Zotin barrën tënde dhe Ai do të të mbajë.”
{#Psalmi 55 :22}
Shqetësimi për gjëra legjitime, nëse është me tepri, ka në vetvete natyrën e mëkatit. Parimi për të shmangur shqetësimin e ankthshëm është i ngulitur me këmbëngulje prej Shpëtimtarit tonë, përsëri dhe përsëri; është i përsëritur prej apostujve dhe është një parim që nuk mund të lihet pas dore pa përfshirë shkelje, sepse thelbi i vërtetë i shqetësimit të ankthshëm është përfytyrimi se ne jemi më të urtë se Perëndia dhe zënia e vendit të Tij për të bërë për Të atë që Ai ka marrë përsipër të bëjë për ne. Ne përpiqemi të mendojmë për çka mendojmë se Ai do ta harrojë; përpiqemi me të madhe të marrim mbi veten tonë barrët tona të lodhshme, sikur Ai të ishte i paaftë ose i pavullnetshëm për t’i mbajtur për ne. Tani, kjo mosbindje ndaj parimit të Tij të qartë, ky mosbesim ndaj Fjalës së Tij, kjo mendjemadhësi e ndërhyrjes në providencën e Tij, është e gjitha mëkatare.
Prapëseprapë akoma më shumë se kjo, shqetësimi i ankthshëm shpesh shpie në veprime mëkati. Ai që nuk i lë qetësisht punët e tij në dorën e Perëndisë, por do që të mbajë vetë barrën e Tij, me shumë mundësi ka për t’u tunduar për të përdorur mjete të gabuara për të ndihmuar veten. Ky mëkat shpie në braktisjen e Perëndisë si këshilltari ynë dhe përdorimi në vend të kësaj i urtësisë njerëzore. Kjo do të thotë të shkosh te “sternat e prishura” në vend të “burimit”; një mëkat ky me të cilin u akuzua Izraeli i hershëm. Ankthi na bën që të dyshojmë dashamirësinë e Perëndisë dhe kështu dashuria jonë ndaj Tij bëhet e ftohtë; ne ndjejmë mosbesim dhe kështu trishtojmë Frymën e Perëndisë, kështu që lutjet tona pengohen, shembulli ynë i qëndrueshëm prishet dhe jeta jonë bëhet egoiste. Kështu që mungesa e mirëbesimit te Perëndia na shpie që të hallakatemi larg prej Tij, por nëse përmes besimit të thjeshtë në premtimin e Tij, hedhim çdo barrë mbi Të ashtu siç vjen dhe “nuk shqetësohemi për asgjë,” sepse Ai merr përsipër të kujdeset për ne, kjo gjë do të na ruajë afër Tij dhe do të na forcojë ndaj tundimeve të shumta. “Mendjes që pushon te Ti, Ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te Ti.”
26 maj-mbrëmje
“Të ngulmojnë në besim.”
{#Veprat 14 :22}
Këmbëngulja është shenja dalluese e shenjtorëve të vërtetë. Jeta e krishterë nuk është vetëm një fillim në shtigjet e Perëndisë, por edhe një vazhdim gjithashtu në të njëjtat shtigje për aq gjatë sa zgjat jeta. Me të krishterin është po si me Napolonin e madh; ai tha, “fitorja më ka bërë çfarë jam dhe fitorja duhet të më mbështesë.” Kështu pra, nën Perëndinë, vëlla i shtrenjtë në Zotin, fitorja të ka bërë çfarë je dhe fitorja duhet të të mbështesë. Kredoja jote duhet të jetë, “përsosje.” Ai vetëm është një fitimtar i vërtetë dhe në fund do të kurorëzohet, nëse vazhdon derisa trumbeta e luftës nuk bie më. Prandaj këmbëngulja është shënjestra e të gjithë armiqve tanë shpirtërorë. Bota nuk i kundërvihet faktit se mund të jesh i krishterë veç për një kohë, nëse mund të të tundojë për të reshtur shtegtimin dhe që të rehatohesh për të blerë dhe shitur me të në Panairin e Kotësisë.
Mishi do të kërkojë të të bëjë për vete dhe të parandalojë përparimin tënd për në lavdi. “Është punë e lodhshme të jesh shtegtar; eja, hiq dorë. A do ta kryqëzoj gjithmonë mishin? A nuk do të kënaqem ndonjëherë? Më jep të paktën një pushim prej kësaj beteje të vazhdueshme.” Satanai do të bëjë shumë sulme të fuqishme ndaj këmbënguljes tënde; kjo do të jetë shënjestra për të gjithë shigjetat e tij. Ai do përpiqet të të pengojë në shërbim; do të hedh fjalën se nuk po bën ndonjë gjë të mirë dhe se ke nevojë për çlodhje. Ai do të përpiqet të të bëjë të lodhur prej vuajtjeve, do të pëshpëritë, “mallko Perëndinë dhe vdis.” Ose ai do të sulmojë qëndrueshmërinë tënde: “ku qëndron e mira vallë të jesh kaq i zellshëm? Ji i qetë si të tjerët; fli si të tjerët dhe lëre llambën të fiket si virgjëreshat e tjera.” Ose ai do të mësyjë ndjenjat e tua doktrinale: “pse vallë i përmbahesh fort këtyre kredove sektare? Njerëzit me mend po bëhen gjithnjë e më shumë liberalë; ata po heqin gurët e kufirit; përshtatu kohërave.” Prandaj ngjish mburojën tënde i krishterë, vish armaturën dhe klithi fort Perëndisë, që me anë të Frymës së Tij të mund të përballosh deri në fund.
27 maj-mëngjes
“Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.”
{#2 Samueli 9:13}
Mefiboshethi nuk ishte ndonjë zbukurim për tryezën mbretërore, prapëseprapë ai pati një vend të vazhdueshëm në tryezën e Davidit, sepse mbreti mund të shikonte në fytyrën e tij tiparet e Xhonatanit të dashur. Ashtu si Mefiboshethi ne mund t’i klithim Mbretit të Lavdisë, “Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?” por prapëseprapë Zoti vazhdon të mbajë lidhje të afërta me ne, sepse Ai sheh në pamjet tona përkujtimin e Jezusit të Tij të shumëdashur. Populli i Zotit është i shtrenjtë për hir të një tjetri. E tillë është dashuria që Ati ka për të Vetëmlindurin e Tij sa për hir të Tij Ai i ngre vëllezërit e Tij të përulur, nga varfëria dhe përjashtimi në shoqërim oborrtar, rang fisnik dhe ushqim mbretëror. Gjymtimi nuk do t’i lërë pa privilegjet e tyre. Të qenit i çalë nuk është pengese për birërimin; sakati është trashëgimtar njësoj sikur të mund të vraponte si Asaheli. E drejta jonë nuk çalon edhe pse fuqia jonë mund të çalojë.
Tryeza mbretërore është një vend fisnik për të fshehur këmbët sakate dhe në gostinë e ungjillit ne mësojmë të lavdërohemi në dobësitë, sepse fuqia e Krishtit qëndron mbi ne. Prapëseprapë paaftësia e rëndë mund të dëmtojë edhe shenjtorët më të dashur. Këtu ka një të gostitur prej Davidit dhe prapëseprapë aq sakat në të dy këmbët sa nuk mund të shkonte me mbretin kur ky u largua prej qytetit, u përfol dhe u sha prej shërbëtorit të tij Tsiba. Shenjtorët me besim të dobët dhe me njohuri të pakët janë humbës të mëdhenj; ata qëndrojnë të zbuluar para shumë armiqve dhe nuk mund të ndjekin mbretin kudo që ky shkon. Kjo sëmundje shpesh vjen prej rënieve. Ushqimi i keq në fëmijërinë e tyre shpirtërore shpesh i bën të kthyerit në besim të bien në një dekurajim nga ku nuk e marrin veten kurrë dhe mëkati në raste të tjera shkakton kocka të thyera. Zot, ndihmo sakatin të kërcejë si një dre dhe kënaq të gjithë popullin tënd me bukën e tryezës Tënde!
27 maj-mbrëmje
“Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?”
{#2 Samueli 9 :8}
Nëse Mefiboshethi u përul kështu për shkak të mirësisë së Davidit, çfarë do të bënim ne në praninë e Zotit tonë të hirshëm? Aq më shumë hir kemi aq më shumë do të mendojmë me përulje për veten tonë, sepse hiri, ashtu si drita, zbulon papastërtinë tonë. Shenjtorët e shquar, e kanë pasur të vështirë me çfarë ta krahasonin veten, sepse ndijimi i padenjësisë së tyre ka qenë aq shumë i qartë dhe i mprehtë. “Unë jam,” thotë Rutërfordi i shenjtë, “një degë e vyshkur dhe e tharë, një copë mërshë e vdekur, kocka të thara dhe nuk kam fuqi të bëj asgjë.” Në një vend tjetër ai shkruan “përveç rebelimeve të hapura, nuk dua asgjë nga ç’ka mori Juda dhe Kaini.” Mendjeve të përulura, edhe sendet më pa vlerë në natyrë, i duken më me vlerë kur i krahasojnë me veten, sepse ato kurrë nuk kanë kryer mëkat; një qen mund të jetë grykës, i egër ose i fëlliqur, por ai nuk ka ndërgjegje për të shkelur dhe Frymë të Shenjtë për t’i rezistuar. Qeni mund të jetë një kafshë e pavlerë, por prapëseprapë me anë të një të mire të vogël mëson shpejt ta dojë të zotin e vet dhe është besnik deri në vdekje, por ne harrojmë mirësinë e Zotit dhe nuk i përgjigjemi thirrjes së Tij.
Fjala “qen i ngordhur” është më kuptimplotë se të gjitha shprehjet e përçmimit, por nuk është aspak tepër e fortë për të shprehur vetë-neverinë e besimtarëve të mësuar. Ata nuk shtiren si modestë, por duan të thonë atë që thonë, ata kanë peshuar veten e tyre në peshoret e shenjtores dhe kanë zbuluar kotësinë e natyrës së tyre. Më së miri ne nuk jemi veçse argjilë, pluhur i gjallë, por të marrë si mëkatarë, jemi me të vërtetë përbindësh. Le të shpallet në qiell si një mrekulli që Zoti Jezus të mund të vendosë dashurinë e zemrës së Tij mbi njerëz të tillë si ne. Edhe pse jemi pluhur dhe hi, duhet dhe do të “madhërojmë hirin e Tij të jashtëzakonshëm.” A nuk mund të gjente prehje zemra e Tij në qiell? A i duhet që të vinte në këto tenda të Kedarit për një nuse? O qiej dhe tokë, buçisni me një këngë dhe i jepni të gjithë lavdinë Zotit tonë të ëmbël Jezus.
28 maj-mëngjes
“Ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.”
{#Romakëve 8 :30}
Këtu ka një të vërtetë të çmuar për ty besimtar. Mund të jesh i varfër ose në vuajtje ose i panjohur, por për të marrë zemër rishqyrto “thirrjen” tënde dhe rrjedhimet që rrjedhin prej saj dhe veçanërisht atë rezultat të bekuar për të cilin flitet këtu. Po kaq me siguri sa je fëmijë i Perëndisë sot, po aq me siguri të gjitha sprovat e tua, së shpejti do të përfundojnë dhe do të pasurohesh me të gjithë bekimin. Prit dhe pak dhe ajo kokë e lodhur do të mbajë sipër kurorën e lavdisë dhe ajo dorë e munduar nga puna do të mbërthejë degën e palmës së fitores. Mos vajto për shkak të telasheve të tua, por përkundrazi gëzohu se së shpejti do të jesh atje ku “vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim.” Qerret e zjarrit janë në pragun e derës tënde dhe një çast do të mjaftojë për të të çuar te të lavdëruarit.
Kënga e përjetshme është pothuajse në buzën tënde. Portat e qiellit qëndrojnë të hapura për ty. Mos mendo se mund të dështosh të hysh në prehjen e Tij. Nëse Ai të ka thirrur, asgjë nuk mund të të ndajë nga dashuria e Tij. Brenga nuk mund ta shkëpusë hallkën; zjarri i persekutimit nuk mund ta djegë lidhjen; çekiçi i ferrit nuk mund ta thyejë dot zinxhirin. Je i sigurtë; ai zë që të thirri në fillim, do të thërrasë akoma nga toka për në qiell, prej zymtisë së errët të vdekjes te shkëlqimet e pashprehshme të pavdekshmërisë. Ji i sigurtë, zemra e Atij që të ka shfajësuar, rreh me dashuri të pafundme ndaj teje. Së shpejti do të jesh me të lavdëruarit, atje ku është risku yt; je duke pritur këtu vetëm për t’u gatitur për trashëgiminë dhe kjo gjë mbasi është kryer, krahët e engjëjve do të të shpien larg, te mali i paqes, i gëzimit dhe bekimit ku,
Larg prej një bote dhembjeje dhe mëkati
Me Perëndinë përjetësisht i rrethuar
do të prehesh përherë e përherë.
28 maj-mbrëmje
“Këtë dua të sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj.”
{#Vajtimet 3 :21}
Kujtesa është shpesh skllavi i dëshpërimit. Mendjet e dëshpëruara kujtojnë çdo shenjë të keqe të së kaluarës dhe qëndrojnë gjatë në çdo aspekt të zymtë të së tashmes; kështu që kujtesa, e veshur me veshje zie, i paraqet mendjes një kupë me vrer dhe hidhërim. Sido që të jetë nuk ka nevojë për këtë. Urtësia mund ta transformojë kujtesën menjëherë në një engjëll ngushëllimi. I njëjti kujtim që në krahun e tij të majtë sjell kaq shumë ogure të zymtë, mund të kalitet që të mbajë në krahun e djathtë një pasuri shenjash shprese. Nuk ka nevojë të veshë një kurorë hekuri; mund ta rrethojë ballin e tij me një shirit ari, i gjithi i stërpikur me yje. Kështu ishte në përjetimin e Jeremias; në vargun e mëparshëm kujtesa e pati shtyrë në një përulje të thellë shpirti: “Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje;” ndërsa tani e njëjta kujtesë e ripërtëriu në jetë dhe ngushëllim. “Këtë dua të sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj.”
Ashtu si një shpatë me dy tehe, kujtesa e tij së pari dërrmoi krenarinë me një teh dhe më pas vrau dëshpërimin e tij me tjetrën. Është një parim i përgjithshëm se nëse do të donim të përdornim kujtesën tonë më me urtësi, duhet që në çastet tona të brengës më të errët të ndezim një shkrepëse që do të ndriçonte llambën e ngushëllimit. Nuk ka nevojë për Perëndinë të krijoje një gjë të re mbi tokë me qëllim që të rimëkëmbë besimtarët në gëzim; nëse ata do të rrëmonin plot me lutje në hirin e të kaluarës, do të gjenin dritë për të tashmen; dhe nëse do të ktheheshin te libri i të vërtetës dhe te froni i hirit, feneri i tyre do të ndriçonte së shpejti si njëherë e një kohë. Le të kujtojmë dashamirësinë e Zotit dhe të tregojmë veprat e Tij të hirit. Le të hapim volumin e kujtimeve që është kaq shumë me bollëk i ndritur me përkujtime mëshire dhe shpejt do të jemi të lumtur. Kështu që kujtesa mund të jetë, ashtu si Kolerixhi e thotë, “sythi i gëzimit,” dhe kur Ngushëlluesi Hyjnor e përkul atë për shërbimin e Tij, mund të jetë ngushëllimi kryesor mes ngushëllimeve njerëzore.
29 maj-mëngjes
“Ti urren mbrapshtinë (ligësinë).”
{#Psalmi 45 :7}
“Zemërohuni dhe mos mëkatoni.” Vështirë se mund të ketë mirësi në një njeri nëse nuk zemërohet me mëkatin; ai që e do të vërtetën duhet të urrejë çdo udhë të rreme. Sa shumë urrejtje pati Zoti ynë Jezus kur tundimi iu afrua! Tre herë e sulmoi në forma të ndryshme, por gjithmonë e përballoi me, “shporru satana.” Ai e urreu atë te të tjerët; dhe jo me zell më të paktë për shkak se e tregoi urrejtjen e Tij më shpesh me lot keqardhjeje se sa me fjalë qortimi; prapëseprapë çfarë gjuhe mund të jetë më e rreptë, më e ngjashme me atë të Elias se sa fjalët, “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata.” Ai e urreu ligësinë kaq shumë sa derdhi gjak për ta goditur atë në zemër; Ai vdiq që ligësia të mund të vdiste; u varros që ta varroste në varrin e Tij; dhe u ngrit lart që ta shtypte përherë nën këmbët e Tij.
Krishti është në Ungjill dhe ai Ungjill i kundërvihet ligësisë në çdo formë. Ligësia e zbukuron veten e saj në petka të hijshme dhe imiton gjuhën e shenjtërisë, por parimet e Jezusit, ashtu si kamxhiku i Tij i famshëm me litarë, e dëbon jashtë prej tempullit dhe nuk do ta tolerojë në kishë. Po ashtu edhe në zemrën ku Jezusi mbretëron, çfarë lufte që ka midis Krishtit dhe belialit! Dhe kur Shpëtimtari ynë do të jetë Gjykatës, ato fjalë, “largohuni nga Unë, të mallkuar,” që janë me të vërtetë veçse një vazhdim i mësimit të Tij të një jete në lidhje me mëkatin, do të shfaqin neverinë e Tij ndaj shkeljes. Po aq e ngrohtë sa është dashuria e Tij ndaj mëkatarëve, po aq e nxehtë është urrejtja e tij ndaj mëkatit; po kaq e përkryer sa është drejtësia e Tij, po aq e plotë do të jetë shkatërrimi i çdo forme ligësie. O Ti kampion i lavdishëm i së drejtës dhe shkatërrues i asaj që është e shtrembër; prandaj Perëndia, Perëndia yt të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
29 maj-mbrëmje
“Qoftë i mallkuar para Zotit ai njeri që do të ngrihet të rindërtojë qytetin e Jerikos!”
{#Jozueu 6 :26}
Përderisa ai që ngrihet të rindërtojë Jerikon është i mallkuar, aq më shumë njeriu që punon për të rimëkëmbur katolicizmin roman midis nesh. Në ditët e etërve tanë muret gjigante të papizmit ranë me anë të fuqisë së besimit të tyre, këmbënguljes së përpjekjeve të tyre dhe të rënies së trumbetave të tyre ungjillore; dhe tani ka disa që duan të rindërtojnë atë sistem të mallkuar mbi themelet e tij të vjetra. O Zot, qofsh i kënaqur të përmbysësh përpjekjet e tyre të padrejta dhe të rrëzosh poshtë çdo gur që ata ngrenë. Ne duhet ta marrim seriozisht që të pastrohemi tërësisht nga çdo gabim që mund të ketë një prirje për të ushqyer frymën e papizmit dhe kur kemi pastruar mirë shtëpinë tonë, duhet të kërkojmë në çdo mënyrë t’i kundërvihemi përhapjes së saj shumë të shpejtë në kishë dhe në botë.
Kjo gjë e fundit mund të bëhet në fshehtësi me anë të lutjes të zjarrtë dhe në publik me anë të dëshmisë së vendosur. Duhet që të paralajmërojmë me guxim të matur ata që janë të prirur drejt gabimeve të Romës; duhet t’u mësojmë të rinjve të vërtetën e ungjillit dhe t’u tregojmë veprat e zeza të papizmit në kohërat e vjetra. Duhet të ndihmojmë në përhapjen e dritës mes vendit akoma më shumë, sepse priftërinjtë ashtu si bufi, e urrejnë dritën e ditës. A po bëjmë gjithçka që mundemi për Jezusin dhe ungjillin? Nëse jo, kjo lënie pas dore i përfiton priftërisë romane. Çfarë po bëjmë për të përhapur Biblën që është helm për Papën? A po përhapim shkrime ungjillore të shëndosha e të mira? Luteri një herë tha, “djalli i urren pendët e patës.” dhe pa dyshim ai pati arsye të mira, sepse shkrimtaret e aftë, me anë të bekimit të Frymës së Shenjtë i kanë bërë shumë dëm mbretërisë së tij. Nëse mijërat që do të lexojnë këto pak fjalë këtë mbrëmje do të bëjnë gjithçka që mundin për të ndaluar rindërtimin e këtij Jeriko të mallkuar, lavdia e Zotit do të përhapet me shpejtësi mes bijve të njerëzve. Lexues, çfarë mund të bësh? Çfarë do të bësh?
30 maj-mëngjes
“I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat.”
{#Kantiku i kantikëve 2 :15}
Një gjemb i vogël mund të shkaktojë shumë vuajtje. Një re e vogël mund të fshehë diellin. Dhelprat e vogla dëmtojnë vreshtat dhe mëkatet e vogla i bëjnë dëm zemrës së brishtë. Këto mëkate të vogla gërmojnë strofka në shpirt dhe e mbushin aq shumë me atë që është e urryeshme për Krishtin sa Ai nuk do të mbajë ndonjë bashkësi dhe shoqërim të kënaqshëm me ne. Një mëkat i madh nuk mund të shkatërrojë një të krishterë, por një mëkat i vogël mund ta bëj atë të mjerë. Jezusi nuk do të ecë bashkë me popullin e Tij, nëse ata nuk dëbojnë jashtë çdo mëkat të njohur. Ai thotë, “po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e Tij.” Disa të krishterë shumë rrallë gëzojnë praninë e Shpëtimtarit të tyre. Pse vallë ndodh kështu? Me siguri që duhet të jetë e dhembshme për një fëmijë të vogël të ndahet prej atit të tij. A je një fëmijë i Perëndisë dhe prapëseprapë je i kënaqur të vazhdosh pa parë fytyrën e Atit tënd? Çfarë! Ti, nusja e Krishtit dhe prapëseprapë i kënaqur pa shoqërimin e Tij!
Me siguri që ke rënë në një gjendje të trishtueshme, sepse nusja e dlirë e Krishtit vajton si një pëllumbeshë e vetmuar. Bëj pra pyetjen, çfarë e ka larguar Krishtin prej teje? Ai fsheh fytyrën e Tij mbas murit të mëkateve të tua. Ai mur mund të ngrihet lart me guralecë po aq lehtë sa edhe me gurë të mëdhenj. Deti është i përbërë nga pika uji; shkëmbinjtë janë të formuar nga thërrmija dhe deti që të ndan prej Krishtit mund të mbushet me pikat e mëkateve të tua të vogla; dhe shkëmbi që gati sa nuk shkatërroi barkën tënde mund të jetë formuar prej punës së përditshme të insekteve koralorë të mëkateve të tua të vogla. Nëse do të doje të jetoje me Krishtin, të ecje me Krishtin, të shikoje Krishtin dhe të kesh shoqërim me Krishtin, ki kujdes nga “dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim.” Jezusi të fton të shkosh me Të dhe t’i zësh ato. Me siguri që Ai, ashtu si Sansoni, do t’i zërë dhelprat menjëherë dhe lehtë. Shko me Të në gjah.
30 maj-mbrëmje
“Që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.”
{#Romakëve 6 :6}
I krishterë, çfarë lidhje ke me mëkatin? A nuk të ka kushtuar mjaft tashmë? Fëmijë i djegur, a do të lozje me zjarrin? Çfarë! Kur ke qenë tashmë midis nofkave të luanit a do të hidhesh për herë të dytë në strofullën e tij? A nuk të ka ardhur në majë të hundës prej gjarprit të vjetër? A nuk helmoi një herë të gjitha venat e tua dhe a do të lozje mbi vrimën e gjarprit me zile dhe a do ta vendosje dorën tënde një herë të dytë mbi strofullën e nepërkës? Oh, mos ji kaq i çmendur! kaq i pamend! A të dha ndonjëherë mëkati kënaqësi të vërtetë? A gjen kënaqësi të madhe në të? Nëse po, kthehu te angaria jote e vjetër dhe vë përsëri zinxhirin nëse të jep kënaqësi. Mirëpo, meqenëse mëkati nuk të dha kurrë atë që premtoi të të jepte, por të mashtroi me gënjeshtra, mos ji për herë të dytë i zënë në kurth—ji i lirë dhe kujtimi i skllavërisë tënde të vjetër të ndaloftë të hysh në rrjetë përsëri!
Është kundra qëllimeve të dashurisë së përjetshme, të cilat të gjitha synojnë pastërtinë dhe shenjtërinë tënde; prandaj mos ec kundra qëllimeve të Zotit tënd. Një tjetër mendim duhet të të përmbajë prej së mëkatuarit. Të krishterët nuk mund të mëkatojnë kurrë lehtë; ata paguajnë një çmim të rëndë për shkeljen. Shkelja shkatërron paqen e mendjes, errëson bashkësinë me Jezusin, pengon lutjen, sjell errësirë mbi shpirtin tënd; prandaj mos ji skllav i mëkatit. Ka akoma një argument më të lartë; sa herë që “i shërben” mëkatit “e kryqëzon përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtëron.” A mund ta durosh vallë këtë mendim? Oh! Nëse ke rënë në ndonjë mëkat të veçantë gjatë kësaj dite, ndoshta Mjeshtri im të ka dërguar këtë qortim këtë mbrëmje për të të kthyer përsëri, përpara se të kesh shkuar shumë larg në pabesinë tënde. Kthehu te Jezusi sërish; Ai nuk e ka harruar dashurinë e Tij për ty; hiri i Tij është akoma i njëjtë. Me lot dhe pendim eja te këmbët e Tij dhe do të pranohesh përsëri në zemrën e Tij; do të vendosesh mbi një shkëmb sërish dhe hapat e tua do të forcohen.
31 maj-mëngjes
“Mbreti kapërceu përruan e Kidronit.”
{#2 Samueli 15 :23}
Davidi bashkë me shpurën e tij të pikëlluar kapërceu atë përrua të zymtë ndërsa ia mbathi larg nga biri i tij tradhtar. Njeriu sipas zemrës së Perëndisë nuk ishte i përjashtuar prej telashit, jo, jeta e tij ishte plot me të. Ai ishte i Vajosuri i Zotit dhe i Pikëlluari i Zotit. Pse vallë ne duhet të presim të shpëtojmë nga kjo gjë? Në portat e pikëllimit, ata më fisnikët e racës sonë kanë pritur me hi mbi kokat e tyre; atëherë pse ne duhet të ankohemi sikur ndonjë gjë e pazakontë të na kishte ndodhur? Vetë Mbreti i mbretërve nuk ishte i favorizuar me një rrugëtim më të gëzueshëm ose më mbretëror. Ai kapërceu pellgun e fëlliqur të Kidronit, përmes të cilit rridhte fëlliqja e Jeruzalemit. Perëndia pati një Bir pa mëkat, por as dhe një bir të vetëm pa ndreqje. Është një gëzim i madh të besosh se Jezusi është tunduar në çdo gjë, ashtu si dhe ne. Cili është Kidroni ynë këtë mëngjes? A është një mik i pabesë, një humbje e trishtueshme, një fyerje shpifëse, një parandjenjë e errët? Mbreti ka kaluar mbi gjithë këto.
A është vallë dhembje trupore, varfëri, persekutim ose përçmim? Mbi gjithë këto Kidrone Mbreti ka kaluar përpara nesh. “Në çdo hidhërim të tyre, Ai u hidhërua.” Idea se sprovat tona janë të pazakonta, duhet të shkulet menjëherë dhe përgjithmonë, sepse Ai që është Koka e të gjithë shenjtorëve, njeh me përjetim brengën që ne e mendojmë kaq të pazakontë. Të gjithë qytetarët e Sionit duhet të çlirohen prej shpurës së nderuar të të pikëlluarve, që ka si Kreun dhe Kapitenin vetë Princin Emanuel. Pavarësisht poshtërimit të Davidit, ai prapëseprapë u kthye triumfues në qytetin e tij dhe Zoti i Davidit u ngrit nga varri ngadhënjyes; le të marrim zemër pra, sepse edhe ne një ditë do të fitojmë. Ne, akoma me gëzim do të nxjerrim ujë prej burimit të shpëtimit edhe pse tani për një periudhë na duhet të kalojmë në ujërat e ndotura të mëkatit dhe pikëllimit. Kurajë, ushtarë të Kryqit, vetë Mbreti triumfoi mbasi kapërceu Kidronin dhe po kështu edhe ju.
31 maj-mbrëmje
“Ai shëron të gjitha sëmundjet e tua.”
{#Psalmi 103 :3}
Thënia është përulëse, prapëseprapë është fakt i sigurtë se ne të gjithë, dikush më pak ose më shumë, jemi duke vuajtur nën sëmundjen e mëkatit. Çfarë ngushëllimi të dish se kemi një Mjek të madh që është i aftë dhe i vullnetshëm për të na shëruar! Le të mendojmë pak për Të sonte. Mjekimet e Tij janë shumë të shpejta –ka jetë në një shikim te Ai; mjekimet e Tij janë rrënjësore—Ai godet në qendër të sëmundjes dhe kështu që, mjekimet e Tij janë të sigurta dhe të pagabueshme. Ai nuk dështon kurrë dhe sëmundja nuk kthehet kurrë. Nuk ka rikthim të sëmundjes atje ku Krishti shëron; nuk ekziston frikë se pacientët e Tij thjesht janë parë sa për të kaluar radhën; Ai i bën njerëz të rinj; i jep gjithashtu një zemër të re dhe fut brenda në to një frymë të re.
Ai është shumë i zoti në të gjitha sëmundjet. Mjekët kanë në përgjithësi ndonjë specialitet. Edhe pse ata mund të njohin pak a shumë në lidhje me pothuajse të gjitha dhembjet dhe sëmundjet tona, ka zakonisht një sëmundje që e kanë studiuar mbi gjithë të tjerat, por Jezu Krishti njeh tërësisht të gjithë natyrën njerëzore. Ai qëllon mirë rastin e njërit apo tjetrit mëkatar dhe Ai kurrë nuk u ndesh me ndonjë rast të përveçëm që ishte i vështirë për Të. Ai pati për të trajtuar komplikime të jashtëzakonshme sëmundjesh të pazakonta, por ka ditur saktësisht me një shikim të vetëm se si ta trajtojë pacientin. Ai është i vetmi mjek universal dhe ilaçi që jep është i vetmi mjekim i vërtetë i përgjithshëm dhe që shëron në çdo rast. Cilado qoftë sëmundja jonë shpirtërore duhet që t’i drejtohemi menjëherë këtij Mjeku Hyjnor. Nuk ka pikëllim që Jezusi nuk mund të shërojë. “Gjaku i Jezu Krishtit na pastron nga çdo mëkat.” Nuk kemi veçse të mendojmë për miriadat që janë çliruar nga lloj lloj sëmundjesh me anë të fuqisë dhe virtytit të prekjes së Tij dhe plot me gëzim ne do ta dorëzojmë veten në duart e Tij. I besojmë Atij dhe mëkati vdes; e duam dhe hiri jeton; shpresojmë te Ai dhe hiri forcohet; e shohim se si është Ai dhe hiri përsoset përgjithmonë.