1 mars-mëngjes
“Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim dhe aromat e tij të përhapen!”
{#Kantiku i kantikëve 4:16}
Çdo gjë tjetër është më mirë se sa qetësia e vdekur e shpërfilljes. Shpirtrat tanë mund të dëshirojnë me urtësi veriun e telashit, veçse nëse mund të shenjtërohet për të nxjerrë aromën e hireve tona. Për aq kohë sa mund të thuhet, “Zoti nuk ishte në erë,” ne nuk do të tkurremi as dhe prej shakullinës më të ftohtë që ka fryrë ndonjëherë mbi bimët e hirit. A nuk iu përul nusja në këtë varg qortimeve të Shumëdashurit të saj; ajo e nxit atë të dërgojë hirin e Tij në ndonjë formë të caktuar dhe duke mos vënë kushte përsa i përket mënyrës së veçantë se si duhet të vijë? Ashtu si edhe ne, a nuk u bë nusja kaq e lodhur prej përgjumjes së vdekur dhe qetësisë së pashenjtë sa psherëtiu për ndonjë vizitë që do ta gjallëronte për veprim? Prapëseprapë ajo dëshiron gjithashtu jugën e ngushëllimit, buzëqeshjet e dashurisë hyjnore, gëzimin e pranisë së Shpenguesit; këto shpesh janë tejet të efektshme për të gjallëruar jetën tonë të plogësht.
Ajo dëshiron ose njërën ose tjetrën ose të dyja; kështu që të mund të mund të kënaqë të Shumëdashurin e saj me aromat e kopshtit të saj. Ajo nuk mund të durojë të jetë e padobishme, po ashtu dhe ne. Sa i gëzueshëm mendimi se Jezusi mund të gjejë ngushëllim në hiret tona të dobëta. A është e mundur? Duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Do të ishte mirë sikur të kërkonim sprovën dhe madje edhe vdekjen nëse kjo do të ndihmonte për ta bërë të hareshme zemrën e Emanuelit. O sikur zemra jonë të bëhej copë copë nëse me anë të një dërrmimi të tillë, Zoti ynë i ëmbël Jezus të mund të lavdërohej. Hiret e pa ushtruara janë si parfume të ëmbla që dremitin në kupëzat e luleve; urtësia e Dhëndrit të madh përdor shkaqe të ndryshme dhe të kundërta për të prodhuar vetëm një rezultat të dëshiruar dhe e bën si pikëllimin ashtu dhe ngushëllimin të lëshojnë aromat mirënjohëse të besimit, dashurisë, durimit, shpresës, nënshtrimit, gëzimit dhe të luleve të tjera të bukura të kopshtit. Njohshim me përjetim të ëmbël se çfarë do të thotë kjo.
1 mars-mbrëmje
“Ai është i çmuar.”
{#1 Pjetri 2:7}
Ashtu si gjithë lumenjtë derdhen në det, po ashtu të gjitha kënaqësitë tona përqendrohen në Shumëtëdashurin tonë. Vështrimet e syve të Tij ndriçojnë më shumë se dielli; bukuritë e fytyrës së Tij janë më të hirshme se lulet më të përzgjedhura; asnjë aromë nuk është si fryma e gojës së Tij. Gurët e çmuar të tokës dhe perlat e detit janë gjëra të pavlera të krahasuara me çmueshmërinë e Tij. Pjetri na thotë se Jezusi është i çmuar, por ai nuk tha dhe nuk mund të thoshte se sa i çmuar, as ndonjë nga ne nuk mund të llogarisë vlerën e dhuratës së pashprehshme të Perëndisë. Fjalët nuk mund të paraqesin dot çmueshmërinë e Zotit Jezus për popullin e Tij, as nuk mund të tregojnë plotësisht se sa thelbësor Ai është për kënaqësinë dhe lumturinë e tyre.
Besimtar, a nuk ke përjetuar në mes të bollëkut një zi buke të madhe nëse Zoti yt ka munguar? Dielli po ndriçonte, por Krishti qe fshehur dhe e gjithë bota ishte e zezë për ty; ose ishte natë dhe përderisa ylli i ndritshëm i mëngjesit kishte shkuar, asnjë yll tjetër nuk mund të lëshonte një rreze drite të tillë. Çfarë shkretëtire e egër që është bota pa Zotin tonë! Nëse një herë Ai fshihet prej nesh, lulet e kopshtit tonë vyshken; frytet tona të këndshme kalben; zogjtë ndërpresin këngën dhe një stuhi përmbys shpresat tona. Të gjitha dritat e tokës nuk mund të bëjnë dritë nëse Dielli i Drejtësisë eklipsohet. Ai është shpirti i shpirtit tonë, drita e dritës sonë, jeta e jetës sonë. Lexues i shtrenjtë, çfarë do të bëje vallë në botë pa Të, kur zgjohesh dhe pret betejën e ditës? Çfarë do të bëje vallë natën, kur vjen në shtëpi i lodhur dhe i kapitur, nëse nuk do të kishte derë shoqërimi midis teje dhe Krishtit? I bekuar qoftë emri i Tij, Ai nuk do të na lejojë të jetojmë pa Të, sepse Jezusi kurrë nuk i braktis të tijët. Prapëseprapë, mendimi se çfarë do të ishte jeta pa Të, le të rrisë për ne çmueshmërinë e Tij.
2 mars-mëngjes
“Kështu tërë Izraelitët shkonin të filistenjtë për të mprehur kush plorin, kush sëpatën, kush belin.”
{#1 Samueli 13:20}
Ne jemi të zënë në një luftë të madhe me filistenjtë e ligësisë. Çdo armë në dispozicionin tonë duhet të përdoret. Predikimi, mësimi, lutja, dhënia, të gjitha duhet të vihen në veprim dhe talentet që mendoheshin shumë të vogla për shërbim duhet tani që të përdoren. Plori, sëpata dhe beli mund të jenë të gjitha të dobishme për të vrarë filistenjtë; vegla të palatuara mund të japin goditje të rënda dhe vrasja nuk ka pse të bëhet në mënyrë elegante përsa kryhet efektshmërisht. Çdo moment, në kohën e duhur ose jo; çdo fragment aftësie, e mësuar apo jo; çdo mundësi, e favorshme apo jo, duhet të përdoret, sepse armiqtë tanë janë të shumtë dhe forca jonë është e paktë.
Shumë prej veglave tona kanë nevojë për mprehje; kemi nevojë për zhdërvjelltësi mendjemprehtësie, takti, energjie, gatishmërie, domethënë në një fjalë, përshtatje të plotë për veprën e Zotit. Gjykimi i shëndoshë praktik është një gjë shumë e rrallë mes udhëheqësve të ndërmarrjeve të krishtera. Ne mund të mësojmë prej armiqve tanë nëse do të donim dhe kështu do t’i bënim vetë filistenjtë të mprihnin armët tona. Këtë mëngjes le të dallojmë mjaftueshëm për të mprehur zellin tonë gjatë kësaj ditë me anë të ndihmës së Frymës së Shenjtë. Shikoni energjinë e papistëve, se si i bien përqark detit dhe tokës për të bërë një prozelit, a duhet që ata të monopolizojnë të gjithë këmbënguljen? Vini re të përkushtuarit paganë se çfarë torturash që durojnë në shërbimin e idhujve të tyre! a janë ata vallë të vetmit për të shfaqur durimin dhe vetë flijimin? Vështro princin e errësirës, sa këmbëngulës në përpjekjet e tij, sa i patundur në përpjekjet e tij, sa guxues në planet e tij, sa mendàr në komplotet e tij, sa energjik në gjithçka! Djajtë janë të bashkuar si një njeri i vetëm në rebelimin e tyre të turpshëm, ndërsa ne besimtarët në Jezus jemi të ndarë në shërbimin tonë ndaj Perëndisë dhe rrallë punojmë njëzëri. Oh sikur të mësonim prej zellit të skëterrshëm të satanait për të shkuar sa andej këndej si samaritanë të mirë duke kërkuar dikë për të bekuar!
2 mars-mbrëmje
“Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m`u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit.”
{#Efesianëve 3:8}
Apostulli Pal e ndjeu si një privilegj të madh të lejohej të predikonte ungjillin. Ai nuk e shikoi thirrjen e tij si mund të madh, por hyri në të me kënaqësi të zjarrtë. Prapëseprapë ndërsa Pali ishte ashtu mirënjohës për detyrën e tij, suksesi në këtë detyrë e përuli shumë atë. Aq më plot mbushet një enë, aq më thellë zhytet në ujë. Dembelët mund t’i bëjnë qejfin vetes me një kryelartësi të ëmbël për aftësitë e tyre, sepse janë të papërvojë, por punëtori i zellshëm shpejt do të mësojë vetë dobësinë e tij. Nëse kërkon përulësi, përpiqu të jesh punëtor; nëse do të doje të njohësh hiçin tënd, provo ndonjë gjë të madhe për Jezusin. Nëse do të doje të ndjeje se sa krejtësisht i pafuqishëm që je pa Perëndinë e gjallë, rreku veçanërisht në veprën e madhe të shpalljes së pasurive të pasosura të Krishtit dhe do të kuptosh, ashtu si kurrë nuk e kishe kuptuar më parë, se çfarë gjëje e dobët dhe e pavlerë që je.
Edhe pse apostulli e dinte këtë gjë dhe e rrëfeu dobësinë e tij, ai nuk ishte kurrë i hutuar përsa i përket kryefjalës të shërbimit të tij. Prej predikimit të tij të parë në të fundin, Pali predikoi Krishtin dhe asgjë përveçse Krishtin. Ai lartësoi kryqin dhe madhëroi Birin e Perëndisë që derdhi gjakun në kryq. Ndiq shembullin e tij në të gjitha përpjekjet e tua personale për të përhapur lajmin e hareshëm të shpëtimit dhe le të jetë “Jezu Krishti edhe atë të kryqëzuar” kryefjala jote e përhershme. I krishteri duhet të jetë si ato lulet e dashura të pranverës që, kur dielli shkëlqen, hapin kupëzat e tyre të arta, sikur të thoshin, “Na mbush me rrezet e tua!” por kur dielli është i fshehur mbrapa një reje, ato mbyllin kupëzat e tyre dhe lëshojnë kokat poshtë. Po kështu i krishteri duhet që të ndjejë ndikimin e ëmbël të Jezusit; Jezusi duhet të jetë dielli i tij dhe ai duhet të jetë lulja që i jepet Diellit të Drejtësisë. Oh! të flasësh vetëm për Krishtin, kjo është kryefjala që është si “farë për mbjellësin ashtu dhe bukë për të uriturin.” Ky është ura e zjarrit për buzën e folësit dhe kryeçelësi për zemrën e dëgjuesit.
3 mars-mëngjes
“Të kam zgjedhur në furrën e pikëllimit.”
{#Isaia 48 :10}
Gjej ngushëllim, besimtar i sprovuar, me këtë mendim: Perëndia tha, “të kam zgjedhur në furrën e pikëllimit.” A nuk vjen fjala si një shi i butë që qetëson tërbimin e flakës? Po, a nuk është vallë një mburojë prej azbesti kundër së cilës nxehtësia nuk ka fuqi? Pikëllimi le të vijë—Perëndia më ka zgjedhur. Varfëri, mund të përparosh në derën time, por Perëndia është tashmë në shtëpi dhe Ai më ka zgjedhur. Sëmundje mund të afrohesh heshtur, por kam tashmë një balsam—Perëndia më ka zgjedhur. Çfarëdo që të më ndodhë në luginën e lotëve, e di se Ai më ka “zgjedhur.” Besimtar, nëse ti kërkon akoma ngushëllim më të madh, sill në mendje se ke një Bir të Njeriut bashkë me ty në furrë.
Në atë dhomë të heshtur tënden, atje ulet anash teje Dikush që ti nuk e sheh, por që ti e do; dhe shpesh kur ti nuk e di, Ai të përgatit shtratin në pikëllimin tënd dhe zbut jastëkun për ty. Je në varfëri, por në atë shtëpi të dashur tënden, Zoti i jetës dhe i lavdisë është një vizitor i shpeshtë. Ai e ka shumë për zemër të vijë në këto vende të shkreta, që të të vizitojë. Miku yt është shumë afër teje. Ti nuk mund ta shohësh Atë, por mund ta ndjesh presionin e duarve të Tij. A nuk e dëgjon vallë zërin e Tij? Madje edhe në luginën e hijes së vdekjes Ai thotë, “Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt.” Kujto ato fjalë fisnike të Cezarit, “Mos druaj, ti mban Cezarin dhe gjithë pasurinë e tij.” Mos ki frikë i krishterë; Jezusi është me ty. Në të gjitha sprovat e tua të zjarrta, prania e Tij është si ngushëllimi yt ashtu dhe siguria jote. Ai nuk do të lërë kurrë atë që ka zgjedhur si të vetin. “Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty,” është fjala e sigurtë e premtimit për të zgjedhurit e Tij në “furrën e pikëllimit.” A nuk do të mbërthesh atëherë Krishtin dhe të thuash—
Përmes ujërave dhe flakëve, nëse Jezusi udhëheq,
Do ta ndjek atje ku Ai shkon.
3 mars-mbrëmje
“Ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb.”
{#Mateu 3 :16}
Ashtu si Fryma e Perëndisë zbriti mbi Zotin Jezus, koka, po ashtu, me masë, zbret mbi gjymtyrët e trupit mistik. Zbritja e Tij bëhet sipas së njëjtës mënyrë që erdhi mbi Zotin tonë. Shpesh ka një shpejtësi të veçantë në të, ose papritur, shtyhemi përpara dhe drejt qiellit përtej çdo pritshmërie. Prapëseprapë nuk është si nguti tokësor, sepse krahët e pëllumbit janë sa të butë po aq dhe të zhdërvjellët. Qetësia duket thelbësore për shumë veprime shpirtërore; Zoti është në zërin e Tij të butë dhe si vesa, hiri i Tij distilohet në heshtje. Pëllumbi ka qenë përherë figura e përzgjedhur e pastërtisë dhe Fryma e Shenjtë është vetë pastërtia. Atje ku Ai vjen, çdo gjë që është e pastër, e dashur dhe me emër të mirë bëhet me bollëk dhe mëkati dhe papastërtia largohen.
Paqja mbretëron gjithashtu atje ku Pëllumbi i Shenjtë vjen me fuqi; Ai mban degën e ullirit që tregon se ujërat e zemërimit hyjnor janë qetësuar. Butësia është një rezultat i sigurtë i fuqisë transformuese të Pëllumbit të Shenjtë; zemrat e prekura prej ndikimit të Tij të mirë janë të dashura dhe të përunjura që këtej e tutje. Më pas rrjedhimisht vjen dëlirësia; shqiponjat dhe korbat mund të gjuajnë prenë e tyre—turtulli mund të durojë padrejtësinë, por nuk mund ta shkaktojë atë. Ne duhet të jemi të dëlirë si pëllumbat. Pëllumbi është një imazh i përshtatshëm i dashurisë, zëri i turtullit është plot me dashamirësi; dhe po ashtu shpirti i vizituar prej Frymës së bekuar, është plot me dashuri për Perëndinë, me dashuri për vëllezërit, me dashuri për mëkatarët dhe mbi të gjitha, me dashuri për Jezusin. Fluturimi i Frymës së Perëndisë mbi sipërfaqen e ujërave, së pari prodhoi rregull dhe jetë dhe në zemrat tona shkakton dhe ushqen jetë të re dhe dritë. Frymë e Bekuar, ashtu siç qëndrove në Shpëtimtarin tonë të shtrenjtë, qëndro edhe në ne që prej kësaj kohe dhe deri në përjetësi.
4 mars-mëngjes
“Hiri im të mjafton.”
{#2 Korintasve 12:9}
Nëse asnjëri prej shenjtorëve të Perëndisë nuk do të ishte i varfër dhe i sprovuar, nuk do të njihnim aq mirë ngushëllimet e hirit hyjnor. Kur shohim shtegtarin që nuk ka ku të mbështesë kokën dhe prapëseprapë mund të thotë, “Akoma do ta vendos besimin tim në Zotin;” kur shohim të gjorin të uritur dhe të etur, që akoma lavdërohet në Jezusin; kur shohim të venë e shkretë të pllakosur në pikëllim dhe prapëseprapë duke pasur besim në Krisht, oh! çfarë nderi që i jep ungjillit.
Hiri i Perëndisë është i ilustruar dhe i madhëruar në varfërinë dhe në sprovat e besimtarëve. Shenjtorët durojnë nën çdo dekurajim, duke besuar se të gjitha gjërat veprojnë për të mirën e tyre dhe se prej të ligave të dukshme një bekim i vërtetë do të çelë së fundi—se Perëndia i tyre shpejt do të kryejë një çlirim për ta, ose me shumë siguri do t’i mbështesë në hallin e tyre për aq gjatë sa dëshiron t’i mbajë në të. Ky durim i shenjtorëve provon fuqinë e hirit hyjnor. Ka një far atje jashtë në det; është një natë e qetë—nuk mund të them nëse kulla e farit është e qëndrueshme; veçse mbasi stuhia të tërbohet përreth tij, atëherë do të di nëse do të qëndrojë. Po kështu me veprën e Frymës; nëse nuk do të ishte në shumë raste e rrethuar me ujëra të rrëmbyeshme, nuk do ta dinim nëse është e vërtetë dhe e fortë; nëse erërat nuk fryjnë mbi të, nuk do ta dinim se sa e qëndrueshme dhe e sigurtë është. Kryeveprat e Perëndisë janë ata njerëz që qëndrojnë në këmbë në mes të vështirësive, të vendosur, të patundur,
I qetë mes klithmës çoroditëse
Plot me besim në fitore. Ai që do të lavdërojë Perëndinë e tij duhet të presë të hasë shumë sprova. Asnjë njeri nuk mund të jetë i shquar përpara Zotit nëse nuk ka shumë konflikte. Atëherë nëse keni për risk një udhë të vështirë, gëzohuni në të, sepse do të shfaqni kështu më mirë hirin e gjithëmjaftueshëm të Perëndisë. Përsa i përket faktit se mund t’ju braktisë as mos ëndërroni për këtë—urreheni këtë mendim. Perëndia që ka qenë i mjaftueshëm deri tani, duhet të besohet deri në fund.
4 mars-mbrëmje
“Ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate.”
{#Psalmi 36:8}
Mbretëresha Sheba u mrekullua prej luksit të tryezës së Solomonit. Ajo u mahnit kur pa furnizimin e një dite të vetme dhe u mrekullua po ashtu prej numrit të shërbëtorëve që festonin në tryezën mbretërore. Por çfarë është kjo në krahasim me banketet e Perëndisë të hirit? Dhjetë mijë mijëra njerëz të tij ushqehen përditë; të uritur dhe të etur, ata vijnë me shumë oreks në banket, por asnjeri prej tyre nuk kthehet i pakënaqur; ka mjaftueshëm për secilin, mjaftueshëm për të gjithë, mjaftueshëm edhe për më shumë. Edhe pse të ftuarit që ushqehen në tryezën e Jehovait janë të panumërt si yjet e qiellit, prapëseprapë secili ka racionin e tij të ushqimit. Mendo se për sa shumë hir një shenjtor ka nevojë, aq shumë sa asgjë përveçse i Pafundmi mund ta furnizojë atë për një ditë; dhe prapëseprapë Zoti shtron tryezën e Tij, jo për një, por për shumë shenjtorë, jo për një ditë, por për shumë vite; jo vetëm për shumë vite, por brez pas brezi.
Vini re festën e bollshme për të cilën flitet në tekst, të ftuarit në banketin e mëshirës janë të kënaqur, jo, “të ngopur”; dhe kjo jo me ushqim të zakonshëm por me dhjam, yndyrën e veçantë të vetë shtëpisë së Perëndisë; dhe një festë e tillë është e garantuar prej një premtimi besnik për të gjithë fëmijët e njerëzve që e vendosin besimin e tyre nën hijen e krahëve të Jehovait. Një herë mendova se nëse do të mundja të merrja ushqimin e prishur te dera e pasme e hirit të Perëndisë do të mbetesha i kënaqur; ashtu si gruaja që tha, “qentë hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e të zotit të tyre,” por asnjë fëmijë i Perëndisë nuk është i shërbyer me mbeturina; ashtu si Mefiboshethi, ata të gjithë hanë prej vetë tryezës së mbretit. Për sa i përket hirit, ne të gjithë kemi racionin e Beniaminit—të gjithë kemi dhjetë herë më shumë se sa prisnim dhe edhe pse nevojat tona janë të mëdha, prapëseprapë shpesh jemi të mrekulluar prej bollëkut të mahnitshëm të hirit që Perëndia na jep të gëzojmë me përjetim.
5 mars-mëngjes
“Le të mos flemë, pra, si të tjerët.”
{#1 Thesalonikasve 5 :6}
Ka shumë mënyra për të ndihmuar në zgjimin e krishterë. Midis të tjerave, më lejoni t’i këshilloj fuqishëm të krishterët për të bashkëbiseduar në lidhje me udhët e Zotit. I Krishteri dhe Shpresëploti, teksa udhëtonin drejt Qytetit Qiellor, i thanë njeri tjetrit, “Për të parandaluar dremitjen në këtë vend, le të bëjmë një bashkëbisedim të mirë.” I krishteri pyeti, “Vëlla, nga do ta fillojmë?” Dhe Shpresëploti u përgjigj, “Atje ku Perëndia filloi me ne.” Atëherë i krishteri këndoi këtë këngë—
Kur shenjtorët bëhen të plogësht, këtu le të vijnë,
E të dëgjojnë se si bashkëbisedojnë këta dy pelegrinë;
Po, në çdo mënyrë, le të mësojnë prej këtyre,
Për t’i mbajtur jo të fjetur, por hapur sytë e tyre.
Shoqërimi i shenjtorëve nëse është i mirëmenduar,
Pavarësisht edhe vetë ferrit, i mban ata zgjuar.
Të krishterët që rrinë veçan dhe ecin vetëm, janë shumë të prirur për t’u bërë të plogësht. Mbaj shoqërinë e krishterë dhe do të mbahesh zgjuar prej saj, i freskuar dhe duke marrë kurajë për të përparuar me të shpejtë në rrugën drejt parajsës. Mirëpo ndërsa merrni “këshilla të ëmbla” nga njëri tjetri në udhët e Perëndisë, kujdesuni që kryefjala e bisedës tuaj të jetë Zoti Jezus.
Syri i besimit, le të shikojë përherë te Ai; zemra juaj qoftë plot me Të; buzët tuaja le të flasin për vlerën e Tij. Mik, jeto afër kryqit dhe nuk do të flesh. Bëj çdo përpjekje për të pasur një ndijim të thellë të vlerës së vendit për ku po shkon. Nëse sjell ndërmend se po shkon në parajsë, nuk do të flesh gjatë rrugës. Nëse mendon se ferri është mbrapa teje dhe se djalli po të ndjek, nuk do të humbasësh kohën. A do të flinte vallë vrasësi me gjakmarrësin mbrapa tij dhe me qytetin e strehimit përpara tij? I krishterë, a do të flesh vallë ndërsa portat prej perlash janë të hapura—këngët e engjëjve duke të pritur për t’iu bashkuar—një kurorë ari gati për ballin tënd? Ah! jo; në shoqërim të shenjtë vazhdo të jesh vigjilent dhe të lutesh që të mos biesh në tundim.
5 mars-mbrëmje
“Thuaji shpirtit tim: “Unë jam shpëtimi yt.”
{#Psalmi 35:3}
Çfarë më mëson kjo lutje e ëmbël? Do të jetë peticioni im i mbrëmjes, por së pari le të më japë një përsiatje mësimdhënëse. Teksti më informon para së gjithash se Davidi pati dyshimet e tij, përndryshe pse vallë duhet të lutej, “Thuaji shpirtit tim, “Unë jam shpëtimi yt,” nëse ndonjëherë nuk ishte i munduar prej dyshimeve dhe frikave? Pra atëherë, le të marr zemër, sepse nuk jam i vetmi shenjtor që ankohem për dobësinë e besimit. Nëse Davidi dyshoi, nuk duhet të nxjerr si përfundim se nuk jam i krishterë ngaqë kam dyshime. Teksti më kujton se Davidi nuk ishte i kënaqur ndërsa kishte dyshime dhe frika, por ai menjëherë shkonte rregullisht te froni i mëshirës për t’u lutur për siguri, sepse ai e vlerësonte këtë si ar shumë të pastër. Unë gjithashtu duhet të përpiqem për një ndijim të qëndrueshëm të pranimit tim në Shumëdashurin dhe nuk duhet të kem gëzim kur dashuria e Tij nuk është e përhapur në shpirtin tim. Kur Dhëndri im është larguar prej meje, shpirti im duhet dhe do të agjërojë.
Mësoj gjithashtu se Davidi e dinte se ku të fitonte siguri të plotë. Ai shkoi te Perëndia i tij me lutje, duke klithur, “Thuaji shpirtit tim: “Unë jam shpëtimi yt.” Duhet të jem vetëm shumë me Perëndinë tim nëse do të doja të kisha një ndijim të qartë të dashurisë së Jezusit. Le të pushojnë lutjet dhe syri im i besimit do të bëhet i mekur. Sa më shumë lutemi aq më shumë i afrohemi parajsës; të ngadaltë në lutje, i ngadaltë përparimi. Unë vërej se Davidi nuk do të kënaqej derisa siguria e tij nuk do të kishte një burim hyjnor. “Thuaji shpirtit tim.” Zot, thuaji shpirtit tim! Asgjë që nuk është një dëshmi hyjnore në shpirt nuk do të kënaqë të krishterin e vërtetë. Për më tepër, Davidi nuk mund të prehej nëse siguria e tij nuk do të ishte personale në mënyrë të gjallë. “Thuaji shpirtit tim: “Unë jam shpëtimi yt.” Zot, nëse do t’ia thoshe këtë të gjithë shenjtorëve, nuk do të vlente asgjë, nëse nuk do të ma thoshe mua personalisht. Zot, kam mëkatuar; nuk e meritoj buzëqeshjen Tënde; as që nuk guxoj ta kërkoj, por oh! thuaji shpirtit tim, po, shpirtit tim, “Unë jam shpëtimi yt.” Më bëj që të kem një ndijim të padiskutueshëm, të padështueshëm, personal, të tanishëm se unë jam Yti dhe se Ti je imi.
6 mars-mëngjes
“Duhet të lindni përsëri.”
{#Gjoni 3:7}
Ripërtëritja qëndron në vetë themelin e shpëtimit dhe ne duhet të jemi shumë të zellshëm për të ditur me kujdes nëse jemi me të vërtetë “të lindur përsëri” sepse ka shumë që përfytyrojnë se janë të tillë dhe që në fakt nuk janë. Ji i sigurtë se emri i krishterë nuk është natyra e krishterë; dhe se të jesh lindur në një vend të krishterë dhe t’i përkasësh fesë së krishterë nuk të sjell as dhe një dobi, nëse nuk ka diçka më shumë të shtuar—të jesh “i lindur përsëri,” është një çështje kaq misterioze, sa fjalët njerëzore nuk mund ta përshkruajnë. “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” Prapëseprapë është një ndryshim që është i njohur dhe i ndjerë, i njohur nga vepra shenjtërie dhe i ndjerë nga një përjetim i hirshëm.
Kjo vepër e madhe është e mbinatyrshme. Nuk është një veprim që një njeri kryen për vetveten; një parim i ri përçohet, që punon në zemër, ripërtërin shpirtin dhe prek të gjithë njeriun. Nuk është një ndryshim i emrit tim, por një ripërtëritje e natyrës sime, kështu që nuk jam njeriu që isha më përpara, por një njeri i ri në Krishtin Jezus. Të lash dhe të veshësh një kufomë është diçka shumë më e ndryshme se sa ta ngjallësh atë; njeriu mund të bëjë njërën, Perëndia vetëm mund të bëjë tjetrën. Nëse atëherë je “lindur përsëri”, dëshmia jote do të jetë, “oh, Zoti Jezus, Ati i përjetshëm, Ti je Prindi im shpirtëror; derisa Fryma jote nuk pati hukatur në mua frymën e jetës shpirtërore, të shenjtë, të re, kam qenë deri në atë ditë “i vdekur në shkelje dhe mëkate.” Jeta ime qiellore rrjedh e tëra prej Teje, Ty ta numëroj. “Jeta ime është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. Nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua.” Zoti na mundësoftë të jemi të siguruar mirë mbi këtë pikë jetësore, sepse të jesh i paripërtëritur do të thotë të jesh i pashpëtuar, i pafalur, pa Perëndi dhe pa shpresë.
6 mars-mbrëmje
“Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet.”
{#Proverbat 18 :12}
Është një shprehje e njohur dhe e vjetër, se “ngjarjet e ardhshme hedhin hijet përpara tyre;” njeriu i urtë na mëson se një zemër krenare është preludi profetik i së ligës. Krenaria është po aq me siguri shenja e shkatërrimit sa ndryshimi i mërkurit në barometër është shenja e shiut dhe madje në mënyrë akoma më të pagabueshme. Kur njerëzit kanë qenë kryelartë, shkatërrimi i ka përmbysur përherë. Zemërdhembja e Davidit le të tregojë se lavdia e njeriut eklipsohet, kur ai dalldiset mbas vetë madhërisë së tij. {#2 Samueli 24 :10} Shikoni Nebukadnetsarin, ndërtuesin e fuqishëm të Babilonisë, duke u zvarritur mbi tokë, duke ngrënë bar si ka, derisa thonjtë e tij u rritën si kthetra shpendësh dhe flokët e tij si pendë shqiponjë. {#Danieli 4 :33} Krenaria e ktheu mburravecin në një kafshë, ashtu si më përpara bëri një engjëll një djall. Perëndia i urren shikimet krenare dhe asnjëherë nuk dështon t’i ulë poshtë ato.
Të gjitha shigjetat e Perëndisë kanë si shënjestër zemrat krenare. O i krishterë, a është zemra jote e fryrë këtë mbrëmje? Sepse krenaria mund të hyjë në zemrën e të krishterit po ashtu si në zemrën e mëkatarit; mund ta mashtrojë atë duke ëndërruar se “jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë.” A po lavdërohesh në hiret ose talentet e tua? A je krenar për vetveten, se ke pasur mendje të shenjtë dhe përjetime të ëmbla? Atëherë, dëgjo me vëmendje ti që po lexon këto fjalë, se edhe te ty po afron shkatërrimi. Lulëkuqet e tua krenare të vetëmashtrimit do të shkulen prej rrënjësh, kërpudhat e tua të hirit do të thahen në nxehtësinë djegëse dhe vetëmjaftueshmëria jote do të bëhet si kashtë për pleh. Nëse harrojmë të jetojmë në këmbën e kryqit, në përulësinë më të thellë të frymës, Perëndia nuk do të harrojë të na zgjojë me fshikull. Një shkatërrim do të vijë te ty, o besimtar i vetëlartësuar padrejtësisht, shkatërrimi i gëzimeve dhe ngushëllimeve të tua, edhe pse nuk mund të ketë shkatërrim të shpirtit tënd. Prandaj, “ai që mburret, le të mburret në Zotin.”
7 mars-mëngjes
“Kini besimin e Perëndisë.”
{#Marku 11:22}
Besimi është këmba e shpirtit me anë të cilës ai mund të ecë përgjatë udhës së urdhërimeve. Dashuria mund ta bëjë këmbën të lëvizë më me shkathtësi, por besimi është këmba që mban shpirtin. Besimi është vaji që mundëson rrotat e përkushtimit të shenjtë dhe të përshpirtshmërisë së zellshme të lëvizin mirë dhe pa besim rrotat hiqen prej karrocës dhe ne zvarritemi rëndë rëndë. Me besimin mund të bëj gjithçka; pa besim, nuk do të kem as prirjen, as fuqinë për të bërë ndonjë gjë në shërbimin e Perëndisë. Nëse doni të gjeni njerëzit që i shërbejnë më mirë Perëndisë, duhet të kërkoni për njerëzit me besim të madh. Besimi i vogël do ta shpëtojë një njeri, por besimi i vogël nuk mund të bëjë gjëra të mëdha për Perëndinë. Besimpaku i gjorë nuk mund të luftonte “Apollonin;” duhej “i krishteri” për të bërë këtë.
Besimpaku nuk mund të vriste “Dëshpërimin Gjigant;” ky kërkonte krahun e “Zemërmadhit” për ta rrëzuar poshtë atë përbindësh. Besimpaku me siguri që do të shkojë në parajsë, por shpesh i duhet që të fshihet në një guaskë dhe shpesh humbet gurë të çmuar. Besimpaku thotë, “është një rrugë e vështirë, e rrethuar me gjemba dhe plot me rreziqe; kam frikë të shkoj;” por Besimmadhi sjell në mendje premtimin, “sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua” dhe kështu që ai guxon me kurajë. Besimpaku qëndron i shkurajuar, duke përzier lotët e tij me ujërat, por Besimmadhi këndon, “kur do të kalosh përmes ujërave Unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin” dhe ai menjëherë kalon rrymën. A do të doje të ishe në paqe dhe i lumtur? A do të doje të gjeje gëzim në besim? A do të doje të kishe besimin e haresë dhe jo atë të zymtësisë? Atëherë “ki besimin e Perëndisë.” Nëse do errësirën dhe je i kënaqur të banosh në zymti dhe mjerim, atëherë ji i kënaqur me pak besim, por nëse do dritën e diellit dhe do të doje të këndosh këngë gëzimi, lakmo me këmbëngulje dhuratën më të mirë, “besimin e madh.”
7 mars-mbrëmje
“Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.”
{#Psalmi 118 :8}
Padyshim që lexuesi është sprovuar prej tundimit për t’u mbështetur te gjërat që shihen, në vend që të qëndrojë vetëm mbi Perëndinë e padukshëm. Të krishterët shpesh shikojnë te njeriu për ndihmë dhe këshillë dhe e prishin thjeshtësinë fisnike të mbështetjes te Perëndia i tyre. Nëse ky racion i mbrëmjes ndesh sytë e një fëmijë të Perëndisë të merakosur në lidhje me gjërat tokësore, atëherë do të donim të arsyetonim pak me të. Për shpëtimin tënd ti beson në Jezus dhe vetëm në Jezus, atëherë pse je i merakosur? “Për shkak se shqetësohem për shumë gjëra.” A nuk është e shkruar vallë, “hidh mbi Zotin barrën tënde?” “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” A nuk mund t’i besosh Perëndisë për gjërat tokësore? “Ah! do doja të mundja t’i besoja.” Nëse nuk mund ta besosh Zotin për gjërat tokësore, si guxon ta besosh për gjëra shpirtërore?
A mund t’i besosh Atij për shpëtimin e shpirtit tënd dhe nuk mbështetesh te Ai për ca mëshira më të vogla? A nuk është Perëndia i mjaftueshëm për nevojën tënde, apo a është gjithë mjaftueshmëria e Tij shumë e ngushtë për mungesat e tua? Vallë a kërkon ndonjë shikim tjetër veç shikimit të Atij që vëren çdo gjë të fshehur? A është zemra e Tij e dobët? A është krahu i Tij i lodhur? Nëse është kështu, kërko një tjetër Perëndi, por nëse Ai është i pafund, i plotfuqishëm, besnik, i vërtetë dhe i urtë, pse endesh kaq shumë sa andej këndej për të kërkuar një tjetër mbështetje? Pse vallë rrëmon tokën për të gjetur një tjetër themel, ndërsa ky është i fortë mjaftueshëm për të mbajtur të gjithë peshën që do të mund të vendosje ndonjëherë mbi të? I krishterë, mos përzje verën tënde me ujë, mos bashko arin tënd të besimit me ndryshkun e mirëbesimit njerëzor. Prit vetëm prej Perëndisë dhe pritja jote qoftë prej Tij. Mos lakmo bimën e Jonas, por prehu në Perëndinë e Jonas. Themelet prej rëre të besimit tokësor qofshin zgjedhja e budallenjve, por ti, si një njeri që parashikon stuhinë, ndërto për veten tënde një vendbanim mbi Shkëmbin e Kohërave.
8 mars-mëngjes
“Me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.”
{#Veprat 14 :22}
Njerëzit e Perëndisë kanë sprovat e tyre. Perëndia kurrë nuk pati si qëllim kur zgjodhi popullin e Tij, që ata të jenë një popull i pa sprovuar. Ata u zgjodhën në furrën e pikëllimit; ata nuk u zgjodhën kurrë për paqe të kësaj bote dhe gëzim tokësor. Liria prej sëmundjes dhe prej dhembjeve të vdekshmërisë nuk iu premtua kurrë, por kur Zoti hartoi kartën e privilegjeve, përfshiu ndreqjet mes gjërave që ata do të trashëgonin në mënyrë të padiskutueshme. Sprovat janë pjesë e riskut tonë; ato u paracaktuan për ne, në trashëgiminë e fundit të Krishtit. Po kaq me siguri sa yjet janë të formuara prej duarve të Tij dhe orbitat e tyre të ngulitura prej tij, aq me siguri na janë caktuar sprovat; ai ka caktuar periudhën dhe vendin e tyre, intensitetin dhe efektin që do të kenë mbi ne.
Njerëzit e mirë nuk duhet t’ia marrë mendja kurrë se do t’i shpëtojnë sprovave; nëse e mendojnë një gjë të tillë, do të jenë të zhgënjyer, sepse asnjë prej pararendësve të tyre nuk ka qenë pa to. Shiko durimin e Jobit; kujto Abrahamin, sepse ai pati sprovat e tij dhe me anë të besimit të tij nën to, ai u bë “Ati i besimtarëve.” Shqyrto mirë biografitë e të gjithë patriarkëve, profetëve, apostujve martirëve dhe nuk do të zbulosh asnjë nga ata që Perëndia i bëri enë mëshire, që nuk kaluan përmes zjarrit të pikëllimit. Është e caktuar prej së vjetri se kryqi i sprovave duhet të skalitet mbi çdo enë mëshirë, ashtu si shenja mbretërore me anë të cilës dallohen enët e nderit të Mbretit. Mirëpo edhe pse pikëllimi është kështu udha e fëmijëve të Perëndisë, ata kanë ngushëllimin të dinë se Mjeshtri i tyre e ka kaluar përpara tyre; ata kanë praninë dhe dashamirësinë e Tij për t’u sjellë gëzim, hirin e Tij për t’i mbështetur dhe shembullin e Tij për t’i mësuar se si të durojnë; dhe kur ata do të arrijnë “mbretërinë,” do të ketë shpërblime të mëdha për “pikëllimet e shumta” që kaluan për të hyrë aty.
8 mars-mbrëmje
“Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vunë emrin Ben-Oni (bir i pikëllimit), por i ati e quajti Beniamin (bir i dorës sime të djathtë).
{#Zanafilla 35 :18}
Për çdo çështje ka një anë të ndritshme po ashtu dhe një anë të errët. Rakela u pllakos prej pikëllimit të dhembjeve të lindjes dhe të vdekjes; Jakobi, edhe pse duke vajtuar humbjen e nënës, mundi të shikonte mëshirën e lindjes së fëmijës. Është mirë për ne, nëse, ndërsa mishi vuan prej sprovave, besimi ynë del fitimtar në besnikëri hyjnore. Luani i Sansonit dha mjaltë dhe po ashtu kundërshtitë tona nëse merren në konsideratë ashtu siç duhet. Deti i stuhishëm ushqen turma të tëra me peshqit e tij; pylli i egër lulëzon me lulet e tij të mrekullueshme; era e stuhishme fshin murtajën dhe i ftohti acar shkrifëron tokën. Retë e zeza distilojnë pika të shndritshme dhe toka e zezë rrit lule të këndshme. Një gjë e mirë do të dalë edhe kur ndodhin një mori të këqijash. Zemrat e trishtuara kanë një aftësi të veçantë për të zbuluar pikëpamjen më të pafavorshme se si ta shikojnë një sprovë; nëse do të kishte vetëm një batak në botë, shpejt ata do të gjendeshin aty brenda zhytur deri në qafë dhe nëse do të kishte vetëm një luan në shkretëtirë, ata do ta dëgjonin të vrumbullonte.
Ne lidhje me ne të gjithë ka një hije të kësaj çmendurie të shkretë dhe jemi të aftë, herë pas herë, ashtu si Jakobi të thërrasim, “e tërë kjo rëndon mbi mua.” Mënyra e ecjes së besimit është të hedhësh çdo shqetësim mbi Zotin dhe më pas të parashikosh rezultate të mira prej fatkeqësive më të këqija. Ashtu si njerëzit e Gedeonit, besimi nuk e vret mendjen prej shtambës së thyer, por gëzohet se llamba flakëron më shumë. Jashtë prej guaskës së ashpër të vështirësisë besimi nxjerr perlën e nderit dhe prej shpellave oqeanike të thella të trishtimit ai ngre lart koralin e çmueshëm të përjetimit. Kur ujërat e begatisë tërhiqen, ai gjen thesare të fshehura ne rërë dhe kur dielli i kënaqësisë perëndon, ai kthen teleskopin e shpresës te premtimet yjore të qiellit. Kur vetë vdekja shfaqet, besimi tregon dritën e ringjalljes përtej varrit, duke bërë kështu Ben-onin tonë shpirtdhënës të jetë Beniamini ynë i gjallë.
9 mars-mëngjes
“Po, Ai është tërheqës (i dashur) në çdo pikëpamje.”
{#Kantiku i kantikëve 5 :16}
Bukuria e shkëlqyeshme e Jezusit është tërheqëse në çdo pikëpamje; ajo duhet admiruar, por më shumë duhet dashur. Ai është më shumë se i këndshëm dhe i hijshëm, Ai është i dashur. Me siguri që populli i Perëndisë mund të justifikojë plotësisht përdorimin e kësaj fjalë të artë, sepse Ai është objekti i dashurisë së tyre më të ngrohtë, një dashuri e themeluar mbi shkëlqesinë e brendshme të personit të Tij, përkryerja e plotë e hireve të Tij. Shikoni, o dishepuj të Jezusit buzët e Mjeshtrit tuaj dhe thoni “a nuk janë ato tejet të ëmbla?” Fjalët e Tij a nuk i bëjnë zemrat tuaja të digjen brenda jush ndërsa Ai flet me ju gjatë rrugës? Ju adhuruesit e Emanuelit, vështroni kokën e Tij të mbuluar me ar dhe më thoni, a nuk janë mendimet e Tij të çmueshme për ju? A nuk ëmbëlsohet adhurimi juaj me zemërdashuri teksa përkuleni me përulësi përpara asaj pamje që është si Libani, e shkëlqyeshme si kedrat?
A nuk ka vallë hir në çdo tipar të Tij dhe a nuk është i gjithë personi i Tij erëmirë me një aromë të tillë të vajosjeve të Tij të mira, sa prandaj dhe virgjëreshat e duan? A ka ndonjë gjymtyrë të trupit të Tij të lavdishëm që nuk është tërheqës?—ndonjë pjesë e personit të Tij që nuk është një magnet për shpirtrat tanë? ndonjë ofiq që nuk është një litar i fortë për të lidhur zemrën tënde? Dashuria jonë nuk është si një vulë e vënë vetëm mbi zemrën e Tij të dashurisë; është e ngulitur edhe mbi krahun e Tij të fuqisë; po ashtu nuk ka as dhe pjesë të vetme të tij mbi të cilën ajo nuk është ngulitur. Ne e vajosim gjithë personin e Tij me vajin e ëmbël të dashurisë sonë të zjarrtë. Do të donim të imitonim të gjithë jetën e Tij; do të donim të reflektonim të gjithë karakterin e Tij. Në të gjitha qeniet e tjera ne shikojmë ndonjë të metë, por në Të ka përsosje të plotë. Edhe më i miri i shenjtorëve të Tij të favorizuar pati njolla mbi rroba dhe rrudha mbi ballë, ndërsa Ai është veçse dashamirësi. Të gjithë diejt tokësorë kanë njollat e tyre; vetë bota e bukur ka shkretëtirën e saj; ne nuk mund të duam edhe gjënë më të dashur në tërësinë e saj, por Krishti Jezus është ar i pastër, dritë pa errësirë—lavdi pa re—”Po, Ai është tërheqës në çdo pikëpamje.”
9 mars-mbrëmje
“Qëndroni në Mua.”
{#Gjoni 15 :4}
Shoqërimi me Krishtin është një kurë e vërtetë për çdo sëmundje. Qoftë pelini i fatkeqësisë ose teprica velëse e kënaqësisë tokësore, shoqërimi i ngushtë me Zotin Jezus do të heqë hidhërimin nga njëra dhe ngimjen prej tjetrës. Jeto afër Jezusit i krishterë dhe është një çështje dytësore nëse jeton mbi malin e nderit ose në luginën e poshtërimit. Duke jetuar afër Jezusit, je i mbuluar me krahët e Perëndisë dhe poshtë teje janë krahët e përjetshëm. Asgjë mos të të mbajë larg prej asaj lidhje të shenjtë, që është privilegji i përzgjedhur i një shpirti i martuar me Shumëtëdashurin. Mos ji i kënaqur ta kesh herë pas herë, por kërko gjithmonë ta mbash shoqërinë e Tij, sepse vetëm në praninë e Tij, ke si ngushëllim ashtu dhe siguri. Jezusi nuk duhet të jetë për ne një mik që na kërkon herë pas herë, por Dikush me të cilin ne ecim përherë e më shumë. Ke një udhë të vështirë përpara teje; ki kujdes, o udhëtar qielldrejtuar, se mos shkosh pa udhëheqësin tënd.
Ke për të kaluar përmes furrës të zjarrtë; mos hyr brenda po të mos kesh, ashtu si Shadraku, Meshaku dhe Abednego, Birin e Perëndisë si mikun tënd. Duhet që të sulmosh Jerikon e vetë korruptimeve të tua; mos fillo betejën derisa, ashtu si Jozueu, të kesh parë Kreun e ushtrive të Zotit, me shpatën e tij të zhveshur në duart e tij. Ke për të ndeshur Esaun e tundimeve të tua të shumta; mos e ndesh derisa në përroin e Jabokut të kesh mbërthyer engjëllin dhe të kesh dalë fitimtar. Në çdo rast, në çdo gjendje, do të kesh nevojë për Jezusin, por më shumë se të gjitha, atëherë kur portat e hekurta të vdekjes do të hapen për ty. Rri afër shpirtit të Dhëndrit tënd, përkul kokën tënde mbi kraharorin e Tij, kërko që të freskohesh me verën e Tij plot aromë dhe do të gjendesh në Të së fundmi, pa njollë, ose rrudhë ose ndonjë gjë të ngjashme. Duke qenë se ke jetuar me Të dhe ke jetuar në Të këtu, do të qëndrosh me Të përjetë.
10 mars-mëngjes
“Kur kisha bollëk thoja: “Unë nuk do të prekem kurrë”.
{#Psalmi 30:6}
“Moabi ka qenë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër.” Jepi një njeriu pasuri; anijet e tij le të sjellin në vend vazhdimisht mallra të shtrenjta; le të shfaqen erërat dhe dallgët duke mbajtur anijet e tij përgjatë kraharorit të detit të fuqishëm; le të japë toka e tij fryt me bollëk; le të jetë moti i mbarë për të mbjellat e tij; le ta shoqërojë përherë sukses i pandërprerë; le të qëndrojë mes njerëzve si një tregtar i suksesshëm; le të gëzojë shëndet të vazhdueshëm; lejoje të eci mes botës me nerva të çelikta dhe sy të shkëlqyer dhe të jetojë i lumtur; jepi frymën festive; le të ketë këngën përherë në buzët e tij; le të ndritë syri i tij me gëzim—dhe rrjedhoja e natyrshme e një gjendje të tille të rehatshme për çdo njeri, qoftë ai edhe i krishteri më i mirë që ka marrë frymë ndonjëherë, do të jetë krenaria; edhe Davidi tha, “nuk do të prekem kurrë;” dhe ne nuk jemi më mirë se Davidi, as sa gjysma e tij.
Vëlla, ki kujdes për vendet e sheshta të udhës tënde, nëse po ecën aty, ose nëse rruga është e ashpër, falëndero Perëndinë për të. Nëse Perëndia do të na tundte përherë në djepin e bollëkut; nëse do të ishim përherë të përkundur në gjunjët e pasurisë; nëse nuk do të kishim ca njolla mbi shtyllën prej alabastri; nëse nuk do të kishte ca re mbi qiej; nëse nuk do të kishim ca pika të hidhura në verën e kësaj jete, do të helmoheshim me kënaqësi, do të ëndërronim se “po qëndrojmë”; dhe vërtet do të qëndrojmë, por do të gjendemi mbi majë në lartësi; ashtu si një njeri i përgjumur mbi direk, çdo çast do të ishim në rrezik.
Ne bekojmë Perëndinë pra për pikëllimet tona; e falënderojmë për ndryshimet tona; ne lavdërojmë emrin e Tij për humbje pronësish, sepse e ndjejmë se po të mos na kishte ndrequr do të ndiheshim tepër të sigurtë. Begatia e vazhdueshme e kësaj bote është një sprovë e zjarrtë.
Pikëllimet, edhe pse duken të rrepta,
Shpesh janë të dërguara në mëshirë.
10 mars-mbrëmje
“Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.”
{#Jobi 14 :1}
Mund të na hyjë shumë në punë, përpara se të biem në gjumë, të kujtojmë këtë fakt të trishtueshëm, sepse mund të na shtyjë të çlirohemi prej gjërave të kësaj bote. Nuk ka asgjë shumë të këndshme në kujtimin se nuk jemi lart shigjetave të kundërshtisë, por mund të na përulë dhe mund të parandalojë mburrjen tonë ashtu si Psalmisti në devocionin e mëngjesit. “Mali im qëndron i palëvizur: nuk do të prekem kurrë”. Mund të na pengojë që të zëmë rrënjë shumë të thella në këtë tokë prej së cilës kaq shpejt do të zhvendosemi për t’u mbjellë në kopshtin qiellor. Le të kujtojmë zotërimin e brishtë të mëshirave tona të përkohshme. Nëse do të mbanim mend se të gjitha pemët e tokës janë të caktuara për sëpatën e druvarit, nuk do të ishim dhe aq të gatshëm për të ndërtuar foletë tona në to. Ne duhet të duam, por duhet të duam me dashurinë që pret vdekjen dhe që llogarit ndarjet.
Të afërmit tanë të shtrenjtë na janë të huazuar dhe koha kur duhet t’i kthejmë në dorën e huadhënësit mund të jetë aty pranë te dera. E njëjta gjë është me siguri e vërtetë për të mirat tona të kësaj bote. A nuk kanë krahë pasuritë dhe fluturojnë tutje? Shëndeti ynë është po ashtu i paqëndrueshëm. Lulet e brishta të lëndinës, ne nuk duhet t’i shikojmë si duke lulëzuar përherë. Ka një kohë të caktuar për dobësi dhe sëmundje, atëherë kur do të na duhet që të lavdërojmë Perëndinë me anë të vuajtjeve dhe jo me anë të aktivitetit të zellshëm. Nuk ka as dhe një pikë të vetme ku mund të shpresojmë të shpëtojmë prej shigjetave të mprehta të pikëllimit; prej ditëve tona të pakta nuk ka as dhe një ditë e siguruar prej trishtimit. Jeta e njeriut është një but plot me verë të hidhur; ai që kërkon për gëzim në të do të bënte mirë të kërkonte për mjaltë në një oqean shëllire. Lexues i dashur, mos i vendos ndjenjat e tua te gjërat e tokës, por kërko ato gjëra që janë lart, sepse këtu tenja bren dhe vjedhësi shkatërron, por atje të gjitha gëzimet janë të përhershme dhe të përjetshme. Udha e telashit është rruga drejt shtëpisë. Zot, bëje këtë mendim një jastëk për shumë koka të lodhura!
11 mars-mëngjes
“Mëkati…edhe më tepër mëkat.”
{#Romakëve 7:13}
Ruhu prej mendimeve të lehta në lidhje me mëkatin. Në kohën e kthimit në besim, ndërgjegjja është kaq e butë, sa kemi frikë edhe mëkatin më të vogël. Të sapo kthyerit në besim kanë një ndrojtje të shenjtë dhe frikë të përshpirtshme se mos mëkatojnë kundra Perëndisë. Por sa keq! shumë shpejt lulëzimi i mbarë i këtyre fryteve të para prishet nga bota që i rrethon me ashpërsinë e saj; bima e ndjeshme e perëndishmërisë së rinisë kthehet më pas në një shelg, tepër e përkulshme, shumë lehtë e epur. Është trishtueshëm e vërtetë se madje edhe një i krishterë mund të bëhet pak nga pak kaq me kallo sa mëkati që më parë i ngjethte mishin nuk e alarmon aspak. Pak nga pak njerëzit familjarizohen me mëkatin. Veshi ku ka ushtuar topi nuk dëgjon tingujt më të vegjël. Në fillim, një mëkat i vogël na trondit, por shpejt themi, “A nuk është vallë një mëkat i vogël?”
Më pas vjen një tjetër, më i madh dhe më pas një tjetër, derisa pak nga pak fillojmë të shikojmë mëkatin si një e keqe e vogël dhe më pas vjen një mburrje e pashenjtë. “Ne nuk kemi rënë në mëkat të njohur. E vërtetë se u penguam pak, por qëndruam në këmbë në kryesoren. Mund të kemi shqiptuar një fjalë të pashenjtë, por sa për pjesën më të madhe të fjalëve tona, kanë qenë të pranueshme.” Kështu ne e nënvleftësojmë mëkatin; e fshehim; e thërrasim me emra hokatarë. I krishterë, ki kujdes se si mendon lehtë për mëkatin. Ki kujdes se mos biesh pak nga pak. Mëkati, një gjë e vogël? A nuk është një helm? Kush e njeh natyrën e tij vdekjeprurëse? Mëkati, një gjë e vogël? A nuk dëmtojnë dhelprat e vogla vreshtat? Insekti i vogël i koralit a nuk ndërton një shkëmb që mbyt një anije? A nuk hedhin poshtë goditjet e vogla lisin e madh? A nuk do të gërryejnë gurin pikat që bien pa pushim? Mëkati një gjë e vogël? Ai ngjeshi kokën e Shpëtimtarit me gjemba dhe shpoi zemrën e Tij! E bëri të vuajë ankth, hidhërim dhe fatkeqësi. Sikur të mund të peshoje mëkatin më të vogël në peshoren e përjetësisë, do t’ia mbathje prej tij si prej një gjarpri dhe do të kishe neveri edhe dukjen më të vogël të së ligës. Shiko çdo mëkat si ai që kryqëzoi Shpëtimtarin dhe do të shohësh se është “edhe më tepër mëkat”.
11 mars-mbrëmje
“Ti do të quhesh “E kërkuara (e gjetura)”.
{#Isaia 62:12}
Hiri i pashoq i Perëndisë shihet qartë në faktin se ne jo vetëm që u kërkuam, por u gjetëm. Njerëzit kërkojnë për një gjë të humbur mbi dyshemenë e shtëpisë, por në një rast të tillë ka vetëm kërkim dhe jo kërkim me ngulm për ta gjetur. Humbja është më e ankthshme dhe kërkimi më këmbëngulës kur një gjë gjendet. Ne ishim të përzier me baltën; ishim si ndonjë copë ari e çmueshme që ka rënë në një gjiriz dhe njerëzit mblidhen dhe me kujdes kontrollojnë një grumbull fëlliqësi të neveritshme dhe vazhdojnë të trazojnë dhe të rrëmojnë dhe të kërkojnë derisa thesari gjendet. Ose, për të përdorur një tjetër figurë, ne ishim të humbur në një labirint; brodhëm këtu e atje dhe kur mëshira erdhi mbas nesh me ungjillin, nuk na gjeti menjëherë, i duhej të na kërkonte dhe të na gjente, sepse ne si dele të humbura ishim kaq dëshpërimisht të humbura dhe ishim hallakatur në një vend kaq të huaj sa nuk dukej e mundur që madje edhe Bariu i Mirë të mund të gjurmonte endjet tona gjarpëruese.
Lavdi i qoftë hirit të pamposhtur, u gjetëm! Asnjë errësirë nuk mund të na fshehte, asnjë fëlliqësi nuk mund të na mbulonte, u zbuluam dhe u sollëm në shtëpi. Lavdi i qoftë dashurisë së pafundme, Perëndia Fryma e Shenjtë na rimëkëmbi! Jetët e ca prej njerëzve të Perëndisë, nëse mund të shkruheshin, do të na mbushnin me habi të shenjtë. Të çuditshme dhe të mrekullueshme janë rrugët që Perëndia përdori në rastin e tyre për të gjetur të Tijët. I bekuar qoftë emri i Tij, Ai kurrë nuk e braktis kërkimin derisa të zgjedhurit janë gjetur efektshmërisht. Ata nuk janë një popull i kërkuar sot dhe i hedhur poshtë të nesërmen. Plotfuqishmëria dhe urtësia të kombinuara nuk do të dështojnë, ata do të quhen, “E gjetura!” Që dikush të gjendet është hir i pashoq, por që ne të gjendemi është hir përtej çdo mase! Nuk mund të gjejmë arsye për këtë përveçse vetë dashurinë sovrane të Perëndisë dhe mund vetëm të ngremë zemrën tonë të habitur dhe të lavdërojmë Zotin se këtë natë mbajmë emrin “e gjetura.”
12 mars-mëngjes
“Duaje të afërmin tënd.”
{#Mateu 5:43}
“Duaje të afërmin tënd.” Ndoshta ai noton në pasuri, ndërsa ti je i varfër dhe duke jetuar në kasollen tënde pranë kështjellës së tij; shikon ditë për ditë pronat e tij, të linjtat e tij dhe banketet e tij madhështore; Perëndia i ka dhënë atij këto dhurata, mos lakmo pasurinë e tij dhe mos mendo keq në lidhje me të. Ji i kënaqur me riskun tënd, nëse nuk mund ta përmirësosh, por mos shiko fqinjin tënd dhe të urosh që të jetë njësoj si ty. Duaje atë dhe atëherë nuk do ta lakmosh.
Ndoshta, në një rast tjetër, ti je i pasur dhe afër teje banon i varfëri. Mos përçmo t’i quash të afërmit e tu. Prano se duhet t’i duash. Bota i konsideron më poshtë se ty. Në çfarë janë vallë më poshtë se ty? Ata janë më shumë të barabartë me ty se sa më poshtë se ty, sepse “Perëndia ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut.” Rroba jote është më e mirë se e atyre, por në asnjë mënyrë nuk je më i mirë se ata. Ata janë njerëz dhe çfarë je ti më shumë se kaq? Ki kujdes që të duash të afërmin tënd edhe sikur të jetë me rrecka ose i zhytur në thellësitë e varfërisë.
Mirëpo ndoshta, ti po thua, “nuk mund t’i dua të afërmit e mi, sepse gjithçka që bëj ata e kthejnë me mosmirënjohje dhe përçmim.” Ka kështu më shumë vend për heroizmin e dashurisë. A do të doje të ishe një luftëtar që do rehatinë, në vend që të përballoje luftën e rreptë të dashurisë? Ai që guxon më shumë do të fitojë më shumë dhe nëse udha jote e dashurisë është e rreptë, shkele me guxim, duke dashur akoma të afërmit e tu në ditë të bardhë e të zezë. Mblidh thëngjij të ndezur mbi kokat e tyre dhe nëse është e vështirë që të pëlqehesh, mos kërko t’i pëlqesh atyre, por t’i pëlqesh Mjeshtrit tënd dhe kujto se nëse e përbuzin dashurinë tënde, Mjeshtri yt nuk do ta përbuzë dhe vepra jote është po aq e pranueshme për Të sikur të kishte qenë e pranueshme për ta. Duaje të afërmin tënd, sepse duke bërë kështu je duke ndjekur hapat e Kryqit.
12 mars-mbrëmje
“Ti kujt i përket?”
{#1 Samueli 30 :13}
Asnjë neutralitet nuk mund të ekzistojë në besim. Ne ose jemi të rreshtuar nën flamurin e Princit Emanuel për të shërbyer dhe luftuar betejat e tij, ose jemi vasalët e princit të zi, satanait. “Ti kujt i përket?”
Lexues, më lër që të ndihmoj në përgjigjen tënde. A je “lindur përsëri?” Nëse po, i përket Krishtit, por pa rilindjen nuk mund të jesh i Tij. Kë beson? Sepse ata që besojnë në Jezus janë fëmijët e Perëndisë. Veprat e kujt po bën? Ti je i sigurtë se po i shërben padronit tënd, sepse Ai që ti i shërben njihet prej kësaj se është zotëria yt. Çfarë shoqërimi mban? Nëse i përket Jezusit, do të vëllazërohesh me ata që veshin uniformën e kryqit. “Më thuaj me kë rri e do të të them cili je.” Si është bisedimi yt? A është qiellor apo tokësor? Çfarë ke mësuar prej Mjeshtrit tënd?—sepse shërbëtorët mësojnë shumë prej mjeshtërve ku janë të pajtuar si çirak. Nëse keni kaluar kohën me Jezusin do të thuhet për ju, ashtu siç ndodhi me Pjetrin dhe Gjonin, “i njihnin se kishin qenë me Jezusin.”
Ne këmbëngulim në pyetjen, “ti kujt i përket?” Përgjigju ndershmërisht përpara se t’i japësh gjumë syve. Nëse nuk i përket Krishtit, je nën një shërbim të rëndë—Vrapo tutje larg padronit tënd të pashpirt! Hyr nën shërbimin e Zotit të dashurisë dhe do të gëzosh një jetë bekimi. Nëse i përket Krishtit, më lejo të të këshilloj të bësh katër gjëra. I përket Jezusit—bindu Atij; fjala e Tij le të jetë ligji yt; dëshira e Tij le të jetë vullneti yt. I përket të Shumëtëdashurit, atëherë duaje Atë; le ta përqafojë zemra jote; le të mbushet i gjithë shpirti yt me Të. I përket Birit të Perëndisë, atëherë vëre besimin te Ai; mos u preh askund përveçse në Të. I përket Mbretit të Mbretërve, atëherë ji i vendosur për Të. Kështu, pa e pasur të shkruar mbi ballë, të gjithë do të dinë se kujt i përket.
13 mars-mëngjes
“Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen?”
{#2 Mbretërve 7 :3}
Lexues i dashur, ky libërth ishte synuar kryesisht për rritjen e besimtarëve, por nëse je i pashpëtuar, zemrat tona digjen me zjarr për ty dhe ne do të donim fort të të thoshim një fjalë që mund të jetë një bekim për ty. Hap Biblën dhe lexo historinë e lebrozëve dhe vëre pozicionin e tyre, i cili ishte shumë i ngjashëm me tëndin. Nëse qëndron aty ku je, ke për të vdekur; nëse shkon te Jezusi nuk mund të vdesësh. “Kush guxon fiton,” thotë proverba e vjetër dhe në rastin tënd guximi nuk është shumë i madh. Nëse ulesh në dëshpërim të zymtë, asnjë nuk do të ketë mëshirë për ty kur do të vijë rrënimi, por nëse vdes duke kërkuar mëshirë, nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, do të gëzoje simpati universale.
Asnjë shpëtim për ata që kundërshtojnë të shikojnë te Jezusi, por ti e di se, sido që të jetë, disa që besojnë në Të janë të shpëtuar, sepse disa nga të njohurit e tu kanë gjetur mëshirë, atëherë pse jo ti? Banorët e Ninivës thanë, “Ku ta dish?” Vepro sipas të njëjtës shpresë dhe provo mëshirën e Zotit. Të vdesësh është kaq e frikshme sa nëse do të kishte edhe një fije kashte për t’u kapur, instinkti i vetë-ruajtjes do t’ju çonte të zgjatnit dorën ta kapnit. Të kemi folur kështu për vetë mosbesimin tënd, tani do të donim të të siguronim, si prej Zotit, se nëse e kërkon Atë, Ai do të gjendet prej teje. Jezusi nuk flak asnjë që vjen te Ai. Nuk do të vdesësh nëse e beson; përkundrazi, do të gjesh thesare shumë më të pasura se ç’mblodhën lebrozët e gjorë në kampin e shkretuar të sirianëve. Fryma e Shenjtë të dhëntë zemër për të shkuar menjëherë dhe nuk do të kesh besuar më kot. Kur ti vetë je shpëtuar, shpallu lajmin e mirë të tjerëve. Mos e mbaj paqen tënde; thuaji së pari familjes së Mbretit dhe bashkohu me ta në shoqërim; nga më i vogli deri te më i madhi, le të informohen për zbulesën tënde dhe më pas shpall lajmin e mirë në çdo vend. Zoti të shpëtoftë përpara se dielli të perëndojë këtë ditë.
13 mars-mbrëmje
“Shtriu dorën, e kapi dhe e tërhoqi brenda arkës.”
{#Zanafilla 8 :9}
I lodhur prej udhëtimit, pëllumbi u kthye më së fundi në arkë si i vetmi vend prehës. Sa rëndë që fluturon—po bie—nuk do ta arrijë kurrë arkën! Por ai lufton. Noeu kishte kërkuar për pëllumbin e tij gjithë ditën dhe është gati ta presë. Pëllumbi ka aq forcë sa të arrijë cepin e arkës, me vështirësi të madhe ulet mbi të dhe është gati të bjerë, mirëpo Noeu shtrin dorën dhe e tërheq drejt tij. Mbaj shënim këtë: “e tërhoqi.” Pëllumbi nuk fluturonte ashtu siç duhet, por ishte shumë i frikësuar, ose shumë i lodhur. Fluturoi aq larg sa mundi dhe më pas ai shtriu dorën dhe e tërhoqi drejt tij. Pëllumbit të hallakatur iu shfaq ky akt mëshire dhe nuk u qortua për hallakatjet e tij. Në gjendjen që ishte, ashtu u tërhoq brenda arkës.
Po ashtu edhe ti, mëkatar kërkues, do të mirëpritesh me gjithë mëkatet e tua. “Vetëm kthehu”– këto janë dy fjalët e hirshme të Perëndisë—”vetëm kthehu.” Çfarë! asgjë tjetër? Jo, “vetëm kthehu.” Pëllumbi kësaj radhe nuk kishte degë ulliri në sqepin e tij, asgjë përveçse se veten dhe hallakatjet e tij, por është “vetëm kthehu” dhe ai kthehet dhe Noeu e tërheq brenda. Fluturo ti i hallakatur; fluturo ti i mekur, pëllumb ashtu siç je, edhe pse e mendon veten të zi si korbi me baltën e mëkatit, kthehu, kthehu te Shpëtimtari. Çdo çast që pret, nuk bën gjë tjetër veçse e rrit mjerimin tënd; përpjekjet e tua për të pastruar pendët dhe për ta bërë veten të përshtatshëm për Jezusin janë kotësi. Eja te Ai ashtu siç je. “Kthehu, o Izrael rebel.” Ai nuk thotë, “kthehu o Izrael i penduar”, (patjetër që ka një ftesë të tillë), por “o rebel,” si një rebel me gjithë rebelimet e tua, kthehu, kthehu, kthehu! Jezusi po të pret! Ai do të shtrijë dorën dhe “do të të tërheqë”—brenda Tij, shtëpia e vërtetë e zemrës tënde.
14 mars-mëngjes
“Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.”
{#1 Korintasve 10 :12}
Është një fakt i çuditshëm, se ekziston një gjë e tillë të jesh krenar prej hirit. Një njeri thotë, “kam besim të madh, nuk do të bie; besimpaku mund të bjerë kurse unë kurrë.” Një tjetër thotë, “kam dashuri të zjarrtë,” “mund të qëndroj në këmbë, nuk ka rrezik për mua të dal nga udha.” Ai që mburret për hirin, ka pak hir për t’u mburrur. Disa që e bëjnë këtë gjë, ia merr mendja se hiret e tyre mund t’i ruajnë, duke mos ditur se rryma duhet të rrjedhë vazhdimisht prej kryeburimit, ose përndryshe përroi së shpejti do të thahet. Nëse një rrjedhë vaji e vazhdueshme nuk vjen te kandili, edhe pse ai digjet me shkëlqim sot, nesër do të nxjerrë tym dhe era e tij do të jetë e dëmshme. Ki kujdes që të mos lavdërohesh në hiret e tua, por i gjithë lavdërimi dhe mirëbesimi le të jetë në Krishtin dhe në forcën e Tij, sepse vetëm kështu ti mund të ruhesh nga rënia. Ji më shumë në lutje. Harxho kohë më të gjatë në adhurim të shenjtë.
Lexo Shkrimet më me zell dhe më me rregullsi. Ji vigjilent mbi jetën tënde më me kujdes. Jeto më afër Perëndisë. Merr për modelin tënd shembujt më të mirë. Biseda jote le të bjerë era parajsë. Zemrat tuaja qofshin të parfumosura me dashuri për shpirtrat e njerëzve. Jeto në mënyrë të tillë që njerëzit të binden se ke qenë me Jezusin dhe je mësuar prej Tij; dhe kur dita e lumtur do të vijë, kur Ai që ti do, do të thotë, “Ngjitu këtu lart,” qoftë lumturia jote ta dëgjosh të thotë, “ke luftuar luftën e mirë, e ke përfunduar vrapimin, ke ruajtur besimin, prandaj dhe të pret kurora e drejtësisë që nuk fishket.” Përpara i krishterë me kujdes dhe maturi! Përpara me frikë dhe dridhje të shenjtë! Përpara me besimin dhe mirëbesimin vetëm në Jezusin, peticioni jot i vazhdueshëm qoftë, “më ndihmo sipas fjalës Sate.” Ai është i aftë dhe vetëm Ai, “mund t`ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t`ju nxjerrë para lavdisë së Tij të paqortueshëm dhe me gëzim.”
14 mars-mbrëmje
“Do të kujdesem për sjelljen time.”
{#Psalmi 39:1}
Bashkështegtar, mos thuaj në zemrën tënde, “do të shkoj andej këtej dhe nuk do të mëkatoj;” sepse kurrë nuk je aq afër rrezikut për të mëkatuar sa kur mburresh se je i sigurtë. Rruga është shumë e përbaltur, do të jetë e vështirë të ecësh aq me kujdes sa mos të fëlliqësh rrobat e tua. Kjo është një botë katrani; duhet të tregosh shumë kujdes, ndërsa je duke u marrë me të, nëse do që t’i mbash duart e tua të pastra. Ka një vjedhës në çdo cep të rrugës për të të vjedhur gurët e tu të çmuar; ka një tundim në çdo mëshirë; ka një kurth në çdo gëzim; dhe nëse arrin parajsën, do të jetë një mrekulli e hirit hyjnor për t’ju numëruar tërësisht fuqisë së Atit tënd. Bëji sytë katër.
Kur një njeri mban lëndë plasëse në dorë, duhet të ruhet që të mos shkojë afër një zjarri; dhe ti gjithashtu duhet të kesh kujdes që të mos hysh në tundim. Madje edhe veprimet e tua të zakonshme janë vegla të mprehta; duhet të kesh kujdes se si i përdor. Nuk ka asgjë në këtë botë për të ushqyer përshpirtshmërinë e të krishterit, por ka çdo gjë për ta shkatërruar atë. Sa i merakosur duhet të jesh për të drejtuar sytë te Perëndia që të të ruajë! Lutja jote duhet të jetë, “Përforcomë dhe unë do të shpëtoj.” Mbasi je lutur, duhet gjithashtu të jesh vigjilent; duke ruajtur çdo mendim, fjalë dhe veprim me një xhelozi të shenjtë. Mos e zbulo veten kur nuk është nevoja, por nëse je i thirrur për një gjë të tillë, nëse je i urdhëruar të shkosh atje ku shigjetat po fluturojnë, kurrë mos guxo të dalësh përpara pa mburojën tënde, sepse nëse në një rast djalli të gjen pa mburojën tënde, do të gëzohet se ora e tij e triumfit ka ardhur dhe shpejt do të të bëjë të rrëzohesh poshtë i plagosur prej shigjetave të tij. Edhe pse nuk mund të vdesësh, mund të jesh i plagosur. “Ji i matur; ji vigjilent, rreziku mund të vijë në një kohë kur gjithçka të duket e sigurtë.” Prandaj kujdesu për sjelljen tënde dhe ki kujdes lutjen. Asnjë njeri nuk ra ndonjëherë në gabim duke qenë shumë vigjilent. Fryma e Shenjtë na udhëheqtë në të gjitha shtigjet tona, në mënyrë që shtigjet e tua t’i pëlqejnë përherë Zotit.
15 mars-mëngjes
“Forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus.”
{#2 Timoteu 2 :1}
Krishti ka hir pa masë në Vetvete, por nuk e ka mbajtur për Veten e Tij. Ashtu si rezervuari zbrazet nëpër tuba po ashtu Krishti ka zbrazur hirin e Tij për njerëzit e Tij. “Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së Tij, hir mbi hir.” Ai duket se zotëron vetëm me qëllim që të na japë ne. Ai qëndron si një burim duke rrjedhur përherë, por vetëm duke rrjedhur me qëllim që të furnizojë brokat e boshatisura dhe buzët e etura që afrohen pranë Tij. Ashtu si një pemë, Ai mban fryte të ëmbla, jo për t’u varur mbi degë, por për t’u mbledhur prej atyre që kanë nevojë. Hiri, qoftë vepra e tij të falë, të pastrojë, të ruajë, të forcojë, të ndriçojë, të ngjallë, ose të rimëkëmbë, merret përherë prej Tij lirisht dhe falas; po ashtu nuk ka as dhe një formë të veprës së hirit që Ai nuk i ka falur popullit të Tij.
Ashtu si gjaku i trupit, edhe pse rrjedh prej zemrës, i përket në mënyrë të barabartë çdo gjymtyre, po ashtu ndikimet e hirit janë trashëgimia e çdo shenjtori të bashkuar me Qengjin dhe këtu ka një shoqërim të ëmbël midis Krishtit dhe Kishës së Tij, meqenëse ata që të dy marrin të njëjtin hir. Krishti është koka mbi të cilën së pari derdhet vaji, por i njëjti vaj kullon deri te cepat e petkut, kështu që shenjtori më i vogël ka të njëjtë vajosje të kushtueshme që ra mbi kokën. Ky është shoqërim i vërtetë kur limfa e hirit rrjedh prej trungut te degët dhe kur dallohet se trungu vetë është i mbajtur gjallë prej së njëjtit ushqim që ushqen degën. Ndërsa ditë për ditë marrim hir prej Jezusit dhe në vazhdimësi njohim se vjen prej Tij, do ta shikojmë Atë në shoqërim me ne dhe do të gëzojmë lumturinë e shoqërimit me Të. Le t’i përdorim përditë pasuritë tona dhe përherë të shkojmë te Ai si vetë Zoti ynë në besëlidhje, duke marrë prej Tij furnizimin për të cilin ne të gjithë kemi nevojë, po me aq shumë zemër sa njerëzit marrin paratë prej vetë kuletës së tyre.
15 mars-mbrëmje
“Ai e bëri me gjithë zemër, prandaj ai pati mbarësi.”
{#2 Kronikave 31 :21}
Kjo nuk është diçka e pazakontë; është rregulla e përgjithshme e moralit se ata njerëz që e bëjnë punën e tyre me gjithë zemrën e tyre kanë mbarësi, ndërsa ata që shkojnë në punë duke lënë gjysmën e zemrave mbrapa tyre, me siguri që do të dështojnë. Perëndia nuk i jep të korrura dembelëve përveç të korrura ferrash, po ashtu nuk është i kënaqur t’i dërgojë pasuri atyre që nuk duan të gërmojnë në arë për të gjetur thesarin e saj të fshehur. Është e pranuar universalisht se nëse një njeri do që të begatojë, duhet të jetë i zellshëm në punën e tij. Është e njëjta gjë në fe ashtu si dhe në gjëra të tjera. Nëse do të doje të kesh mbarësi në punën tënde për Jezusin, le të jetë punë zemre dhe le të kryhet me gjithë zemrën tënde. Vër aq forcë, energji, zemër dhe zell në fe sa vë në punë, sepse meriton akoma më shumë. Fryma e Shenjtë na ndihmon në dobësitë tona, por nuk nxit përtacinë tonë; Ai i do besimtarët veprues.
Kush janë njerëzit më të dobishëm në kishën e krishterë? Njerëzit që e bëjnë me gjithë zemrën e tyre atë që ndërmarrin për Perëndinë. Kush janë mësuesit më të suksesshëm të shkollës të së dielës? Më të talentuarit? Jo, më të zellshmit; njerëzit me zemrat e tyre në zjarr, janë njerëzit që shikojnë Zotin e tyre që shkon përpara me begati në madhështinë e shpëtimit të Tij. Gjithëzemërpërfshirja e tregon veten e saj në këmbëngulje; mund të ketë dështim në fillim, por punëtori i zellshëm do të thotë, “është vepra e Zotit dhe duhet bërë; Zoti im më ka urdhëruar ta bëj dhe në forcën e Tij do ta përmbush.” I krishterë, a po i shërben kështu “me gjithë zemrën tënde” Mësuesit tënd? Sill në mendje zellin e Jezusit! Mendo se çfarë vepre me zemër që ishte e Tija! Ai mund të thoshte, “sepse zelli i shtëpisë Sate më ka përpirë.” Kur Ai djersiti pika të mëdha gjaku, nuk ishte barrë e lehtë ajo që kishte për të mbajtur mbi supet e Tij të bekuara dhe kur Ai derdhi zemrën e Tij, përpjekja që po bënte për shpëtimin e popullit të Tij nuk ishte e dobët. Jezusi ishte i zellshëm dhe ne të jemi të plogësht?
16 mars-mëngjes
“Sepse para Teje unë jam një i huaj.”
{#Psalmi 39 :12}
Po, o Zot, para Teje, por jo për Ty. Të gjithë ftohjen time të natyrshme kundrejt Teje, hiri Yt e ka hequr në mënyrë të efektshme dhe tani, në shoqërim me Ty, eci mes kësaj bote mëkatare si një shtegtar në një vend të huaj. Ti je një i huaj në vetë botën Tënde. Njeriu të harron, të çnderon, bën ligje të reja dhe zakone të papranueshme dhe nuk të njeh. Kur Biri yt i shtrenjtë erdhi te të vetët, të vetët nuk e pritën Atë. Ai ishte në botë, bota u bë prej Tij dhe bota nuk e njohu. Kurrë nuk kishte një të huaj që dallonte aq shumë sa Biri yt i dashur midis vëllezërve të nënës së tij. Nuk është për t’u habitur prandaj, nëse unë që jetoj jetën e Jezusit, të jem i panjohur dhe i huaj këtu poshtë. Zot, nuk dua të jem një qytetar atje ku Jezusi ishte një i huaj. Dora e Tij e shpuar çlidhi litarët që njëherë e mbanin shpirtin tim të lidhur me botën dhe tani e gjej veten të huaj në vend. Fjalimi im i duket këtyre babilonasve midis të cilëve banoj një gjuhë barbare, sjellja ime u duket e veçantë dhe veprimet e mia të çuditshme. Edhe një tartar do të ndjehej në Londër si në shtëpinë e vet më shumë se sa unë mund të ndjehesha i tillë në strofullën e mëkatarëve. Mirëpo këtu qëndron ëmbëlsia e riskut tim: jam një i huaj me Ty. Ti je bashkëvuajtësi im, bashkështegtari im. O çfarë gëzimi që të udhëtosh në një shoqërim të tillë të bekuar! Zemra ime digjet përbrenda gjatë rrugës kur Ti më flet dhe edhe pse jam një banor i përkohshëm, jam shumë më i lumtur se ata që ulen në frone dhe ndjehem si në shtëpinë time më shumë se ata që banojnë në shtëpitë e tyre me tavan.
Nuk më mbetet as vend, as kohë Vendi im është kudo pa dallim;
Mund të jem i qetë dhe pa shqetësim
Në çdo vend, përderisa Perëndia është aty.
Ndërsa kërkojmë ose shmangim një vend
Shpirti nuk gjen lumturi në asnjë:
Por me Perëndinë që udhëheq udhën tonë
Të shkosh apo të qëndrosh është po ai gëzim.
16 mars-mbrëmje
“Ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit.”
{#Psalmi 19 :13}
E tillë ishte lutja e “njeriut simbas zemrës së Zotit.” A kishte nevojë i shenjti David të lutej kështu? Sa e nevojshme pra, duhet të jetë një lutje e tillë për ne që jemi të sapolindur në hir! Davidi sikur donte të thoshte, “më ruaj përndryshe do të vrapoj kapërdimthi drejt honit të mëkatit.” Natyra jonë e ligë, ashtu si një kalë damarkeq, është e aftë të ikë tutje. Hiri i Perëndisë vëntë frerin mbi të dhe ta përmbajë që të mos vrapojë në keqbërje. Më i miri nga ne do të bënte gjënë më të pabërë nëse Zoti në providencën dhe hirin e Tij nuk do të vinte pengesa! Lutja e psalmistit është e drejtuar kundra formës më të keqe të mëkatit—ai që kryhet me paramendim dhe vullnetshëm. Edhe më shenjtorët duhet që “të ruhen” prej shkeljeve më të ndyra.
Është një gjë solemne teksa shikojmë apostullin Pal të paralajmërojë shenjtorët në lidhje me mëkatet më të urryeshëm. “Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari.” Çfarë, a kanë nevojë shenjtorët të paralajmërohen kundra këtyre gjërave si këto? Po, patjetër. Rrobat më të pastra, nëse pastërtia e tyre nuk ruhet prej hirit hyjnor, do të fëlliqeshin prej njollave më të zeza. I krishterë me përvojë, mos u mburr në përvojën tënde; akoma do të pengohesh nëse nuk shikon te Ai që është i aftë të të ruajë nga rrëzimi. Ju që keni dashuri të zjarrtë, besim të njëtrajtshëm ,shpresa të ndritshme, mos thoni, “nuk do të mëkatojmë kurrë,” por klithni, “mos na shtjer në ngasje.” Ka eshkë sa duhet në zemrën e njeriut më të mirë për të ndezur një zjarr që do të digjej deri në vendin më të ulët të ferrit, nëse Perëndia nuk shuan shkëndijat teksa këto bien. Kush do të kishte ëndërruar vallë se Loti i drejtë do të gjendej i pirë dhe duke kryer papastërti? Hazaeli thotë, “por ç`është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?” dhe ne jemi shumë të prirur për të bërë të njëjtën pyetje vetëdrejtësie. Urtësia e pafundme na shëroftë prej çmendurisë së vetë besimit.
17 mars-mëngjes
“Të kujtoheshim për të varfërit.”
{#Galatasve 2:10}
Pse vallë Perëndia lejon që aq shumë prej fëmijëve të Tij të jenë të varfër? Nëse do të donte, Ai mund t’i bënte ata të gjithë të pasur; Ai mund të vendosë para dyerve të tyre çanta me ar; mund t’i dërgojë të ardhura vjetore të mëdha; ose mund të sigurojë përreth shtëpisë së tyre bollëk furnizimesh, ashtu si bëri njëherë shkurtat të mblidhen grumbull rreth kampit të Izraelit dhe për t’i ushqyer bëri që të binte si shi buke prej qiellit. Nuk ka pse ato duhet të jenë të varfër përveç faktit se Atij kjo gjë i duket më e mira. “Imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.” Ai mund t’i furnizoje ata; Ai mund të bëjë që më të pasurit, më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit të sjellin të gjithë pushtetin dhe pasuritë e tyre te këmbët e fëmijëve të Tij, sepse të gjitha zemrat e njerëzve janë nën kontrollin e Tij. Mirëpo Ai nuk zgjedh të bëjë kështu; Ai lejon që ata të vuajnë mungesë, lejon që ata të lëngojnë në varfëri dhe errësirë. Pse kështu?
Ka shumë arsye; një arsye është që të na japë ne që jemi të favorizuar mjaftueshëm, një mundësi për të treguar dashurinë tonë kundrejt Jezusit. I tregojmë dashurinë tonë Krishtit kur këndojmë për Të dhe i lutemi, por nëse nuk do të kishte nevojtarë në këtë botë, do të humbnim privilegjin e ëmbël të vërtetonim dashurinë tonë, duke u treguar bujarë ndaj vëllezërve të Tij më të varfër; Ai ka caktuar se kështu ne duhet që të provojmë se dashuria jonë nuk qëndron vetëm në fjalë, por edhe në vepra dhe në vërtetësi. Nëse e duam me të vërtetë Krishtin, do të kujdesemi për ata që duhen prej Tij. Ata që janë të shtrenjtë për Të do të jenë të shtrenjtë për ne. Le ta shikojmë këtë gjë pra jo si një detyrë, por si një privilegj, të ndihmosh të varfërit e kopesë së Zotit—duke kujtuar fjalët e Zotit Jezus, “sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë Mua.” Me siguri që kjo siguri është e ëmbël mjaftueshëm dhe ky motiv i fortë mjaftueshëm për të na udhëhequr të ndihmojmë të tjerët me një dorë të vullnetshme dhe zemër të dashur—duke kujtuar se gjithçka që bëjmë për popullin e Tij pranohet hirshëm nga Krishti si e kryer për Të.
17 mars-mbrëmje
“Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.”
{#Mateu 5:9}
Kjo është lumturia e shtatë dhe shtata ishte numri i përkryerjes mes hebrenjve. Ndoshta Shpëtimtari e vendosi paqebërësin të shtatin në listë, sepse ai i afrohet më tepër njeriut të përkryer në Krishtin Jezus. Ai që do të donte bekim të përkryer, aq sa mund të arrihet mbi tokë, duhet të arrijë këtë bekim të shtatë dhe të bëhet një paqebërës. Ka një domethënie edhe në vendndodhjen e tekstit. Vargu që e paraprin flet për bekimin e “atyre që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.” Është mirë të kuptosh se në fillim duhet të jemi “të pastër, më pas paqësorë.” Paqja jonë nuk duhet të jetë kurrë një marrëveshje me mëkatin, ose një tolerim i së ligës.
Ne duhet ta bëjmë fytyrën tonë të fortë si diamanti kundër çdo gjëje që është kundra Perëndisë dhe shenjtërisë së Tij; pastërtia duke qenë në zemrën tonë një çështje e zgjidhur, mund të vazhdojmë atëherë me paqen. Po ashtu vargu që ndjek nuk është vënë më pak qëllimshëm. Sado paqësorë qofshim në këtë botë, prapëseprapë do të paraqitemi ndryshe dhe do të keqkuptohemi dhe nuk është për t’u habitur se edhe Princi i Paqes me anë të paqedashjes së Tij solli zjarr mbi tokë. Vetë Ai edhe pse e donte njerëzimin dhe nuk bëri asgjë të ligë, ishte “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes.” Prandaj, në mënyrë që paqedashësi në zemër të mos zihet në befasi kur ndesh armiq, është shtuar në vargun ndjekës, “lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.” Kështu pra, paqebërësit nuk shpallen vetëm të bekuar, por ata janë të rrethuar me bekime. Zot na jep hir për t’u ngjitur në këtë lumturi të shtatë! Pastro mendjet tona që të jemi “së pari të pastër, më pas paqësorë” dhe forco shpirtrat tanë, që paqedashja jonë të mos na shpjerë në burracakëri dhe ligështi, atëherë kur jemi të përndjekur për hirin Tënd.
18 mars-mëngjes
“Ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.”
{#Galatasve 3 :26}
Atësia e Perëndisë është e përbashkët për të gjithë fëmijët e Tij. Ah! Besimpak, ke thënë shpesh, “oh sikur të kisha kurajën e Zemërmadhit, që të mund të përdorja shpatën e tij dhe të isha aq trim sa dhe ai! Por sa keq, pengohem te çdo fije kashte dhe vetë hija më ndjell frikë.” Dëgjo, Besimpak. Zemërmadhi është fëmija i Perëndisë, po ashtu edhe ti je fëmija i Perëndisë; dhe Zemërmadhi nuk është as dhe një thërrime më shumë fëmijë i Perëndisë se ç’je ti. Pjetri dhe Pali, apostujt e shumë favorizuar, i përkisnin familjes së Shumëtëlartit dhe po kështu dhe ti; i krishteri i dobët është po aq fëmijë i Perëndisë sa edhe i krishteri i fortë.
Kjo besëlidhje është e sigurtë,
Sikur shtyllat e lashta të tokës të binin;
I forti, i dobëti dhe i mekëti,
Janë tani një në Jezusin.
Të gjithë emrat janë në të njëjtin regjistër të familjes. Dikush mund të këtë më shumë hir se një tjetër, por Perëndia Ati ynë qiellor ka të njëjtën zemër të butë kundrejt të gjithëve. Dikush mund të kryejë vepra më të fuqishme dhe mund t’i sjellë më shumë lavdi Atit të tij, por ai që ka emrin më të vogël në mbretërinë e qiellit është po aq fëmija i Perëndisë sa ai që qëndron mes njerëzve të fuqishëm të Mbretit. Le të na gëzojë dhe ngushëllojë kjo gjë, kur afrohemi afër te Perëndia dhe themi, “Ati ynë.”
Prapëseprapë, ndërsa jemi të ngushëlluar duke ditur këtë gjë, le të mos qëndrojmë të kënaqur me këtë besim të vogël, por le të kërkojmë, ashtu si Apostujt, ta rrisim. Sa do i vogël qoftë besimi ynë, nëse është besim i vërtetë në Krisht, së fundmi do të arrijmë parajsën, por nuk do ta nderojmë shumë Mësuesin tonë në shtegtimin tonë, as nuk do të kemi bollëk në gëzim dhe paqe. Nëse atëherë do të doje të jetoje për lavdinë e Krishtit dhe të jesh i lumtur në shërbimin e Tij, kërko të mbushesh me Frymën e adoptimit gjithnjë e më shumë, derisa dashuria e përkryer të nxjerrë jashtë frikën.
18 mars-mbrëmje
“Sikurse Ati më ka dashur Mua, ashtu edhe Unë ju kam dashur juve.”
{#Gjoni 15 :9}
Ashtu si Ati do Birin, në të njëjtën mënyrë Jezusi do popullin e Tij. Çfarë është kjo metoda hyjnore? Ai e deshi Atë pa pasur një fillim dhe ashtu Jezusi i do gjymtyrët e Tij. “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme.” Mund të gjurmosh fillimin e dashurisë njerëzore; mund të gjesh lehtë fillimin e dashurisë tënde kundrejt Krishtit, por dashuria e Tij ndaj nesh është një lum që e ka burimin të fshehur në përjetësi. Perëndia At e do Jezusin pa ndonjë ndryshim. I krishterë, merre këtë si ngushëllimin tënd, se nuk ka ndryshim në dashurinë e Jezusit ndaj atyre që qëndrojnë në Të. Dje ishe në majën e Taborit dhe the, “Ai më do;” sot je në luginën e përuljes, por prapëseprapë Ai të do po aq shumë.
Mbi malin e Mitsarit dhe mes majave të Hermonit, dëgjove zërin e Tij që foli kaq ëmbëlsisht me notat e dashura të dashurisë; dhe tani mbi det, ose madje edhe në det, kur të gjitha dallgët dhe valomat vijnë mbi ty, zemra e Tij mbetet besnike ndaj zgjedhjes së Tij të vjetër. Ati e do Birin pa ndonjë fund dhe po kështu Biri do popullin e Tij. Ti shenjtor, nuk ke nevojë të druash zgjidhjen e litarit të agjendë, sepse dashuria e Tij për ty nuk do të sosë kurrë. Qëndro me mirëbesim se edhe poshtë në varr Krishti do të shkojë me ty dhe se kur të ngrihesh prej tij, Ai do të jetë udhëheqësi yt për në kodrat qiellore. Për më tepër, Ati e do Birin pa ndonjë masë dhe të njëjtën dashuri të pamasë i kushton Biri të zgjedhurve të Tij. E gjithë zemra e Krishtit është e përkushtuar ndaj popullit të Tij. Ai “na deshi dhe e dha jetën e Tij për ne.” Dashuria e Tij është një dashuri që tejkalon njohurinë. Ah! kemi me të vërtetë një Shpëtimtar të pandryshueshëm, një Shpëtimtar të çmuar, Dikë që do pa masë, pa ndryshim, pa fillim dhe pa fund, ashtu siç e ka dashur Ati! Ka shumë ushqim këtu për ata që dinë si ta tresin. Fryma e Shenjtë na udhëheqtë te palca dhe dhjami i tij!
19 mars-mëngjes
“U përforcua në besim.”
{#Romakëve 4:20}
I krishterë, përkujdesu për besimin tënd; kujto se besimi është e vetmja mënyrë se si mund të fitosh bekime. Nëse duam bekime prej Perëndisë, asgjë nuk mund t’i sjellë poshtë përveçse besimi. Lutja nuk mund të tërheqë poshtë përgjigje prej fronit të Perëndisë, përveçse kur është lutja e zellshme e një njeriu që beson. Besimi është korrieri engjëllor midis shpirtit dhe Zotit Jezus në lavdi. Le të tërhiqet engjëlli dhe nuk do të mund as të dërgojmë lutje lart, as të marrim përgjigje. Besimi është teli telegrafik që lidh tokën dhe qiellin dhe nëpërmjet tij mesazhi i dashurisë së Perëndisë fluturon kaq shpejt sa përpara se ne thërrasim, Ai përgjigjet dhe ndërsa jemi duke folur Ai na dëgjon. Mirëpo nëse teli telegrafik i besimit këputet, si mund të marrim vallë premtimin? A jam në telash?—Mund të fitoj ndihmë për telashin ku gjendem me anë të besimit. A jam i lëkundur andej këndej prej armikut?—shpirti im mbështetet me anë të besimit mbi Strehën e tij të shtrenjtë. Mirëpo hiqe besimin—më kot i bëj thirrje Perëndisë.
Nuk ka rrugë midis shpirtit tim dhe qiellit. Në kohën më të rreptë dimërore, besimi është rruga mbi të cilën kuajt e lutjes mund të udhëtojnë—po, madje dhe ngrica therëse nuk do të pengojë aspak, por blloko rrugën dhe si vallë mund të komunikojmë me Mbretin e Madh? Besimi më lidh me hyjninë. Besimi më vesh me fuqinë e Perëndisë. Besimi vë në anën time plotfuqishmërinë e Jehovait. Besimi siguron çdo atribut të Perëndisë për mbrojtjen time. Me ndihmon të sfidoj ushtritë e ferrit. Më bën që të eci triumfalisht mbi zverkun e armiqve të mi. Mirëpo pa besim, si vallë mund të marr ndonjë gjë prej Zotit? Ai që lëkundet—që është si një dallgë e detit—të mos presë se ka për të marrë ndonjë gjë prej Perëndisë! Oh, atëherë, i krishterë, ruaje mirë besimin tënd, sepse me të mund të fitosh të gjitha gjërat, sado i varfër qofsh, por pa të, nuk mund të fitosh asgjë. “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”
19 mars-mbrëmje
“Dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat.”
{#Ruthi 2 :14}
Sa herë që jemi të privilegjuar të hamë prej bukës që Jezusi jep, jemi, ashtu si Ruthi, të kënaqur me vaktin e shijshëm dhe të plotë. Kur Jezusi është bujtësi, asnjë mik nuk largohet me duar bosh nga tryeza. Mendja jonë është e kënaqur me të vërtetën e çmuar që Krishti zbulon; zemra jonë është e kënaqur me Jezusin, si objekti i dashur i dashurisë; shpresa jonë është e kënaqur, sepse kë kemi vallë në qiell përveçse Jezusin? dhe dëshira jonë është e ngopur, sepse për çfarë mund të dëshirojmë më shumë se sa “të njohim Atë dhe të gjendem në Të?” Jezusi mbush ndërgjegjen tonë derisa është në paqe të përkryer, gjykimin tonë me bindjen e sigurisë së mësimeve të Tij, memorien tonë me kujtesën se çfarë Ai ka bërë dhe përfytyrimin tonë me perspektivat se çfarë do të bëjë akoma. Ashtu si Ruthi “u ngop dhe vuri mënjanë tepricat,” po ashtu është me ne. Kemi pirë gllënjka të thella; kemi menduar se mund të merrnim gjithçka prej Krishtit, por kur kemi bërë atë që kishim mundësi, na u desh të vëmë mënjanë një mbetje të bollshme.
Jemi ulur në tryezën e dashurisë së Zotit dhe kemi thënë, “asgjë veçse e pafundmja mund të më kënaqë; jam një mëkatar aq i madh sa më duhet meritë e pafundme për të larë mëkatet e mia,” por kemi patur mëkatet tona të fshira dhe zbuluam se kishte mbetur akoma meritë; patëm urinë tonë të lehtësuar në festën e dashurisë së shenjtë dhe zbuluam se kishte mbetur plot ushqim shpirtëror. Ka disa gjëra të ëmbla në Fjalën e Perëndisë që nuk i kemi gëzuar akoma dhe që jemi të detyruar t’i lëmë për pak kohë, sepse jemi si dishepujt që Jezusi u tha, “kam edhe shumë gjëra të tjera për t`ju thënë, por ato ende ju nuk mund t`i mbani.” Po, ka hire të cilat nuk i kemi kapur akoma; vende bashkësie më afër Krishtit, që nuk i kemi arritur dhe lartësi shoqërimi që këmbët tona nuk kanë ngjitur. Në çdo banket dashurie, ka shumë shporta me mbetje. Le të madhërojmë bujarinë e Boazit tonë të lavdishëm.
20 mars-mëngjes
“I dashuri im.”
{#Kantiku i kantikëve 2:8}
Ky ishte një emër i artë që Kisha e hershme në çastet më të gëzueshme të saj e kishte zakon t’i jepte të Vajosurit të Zotit. Kur koha e këngëve të zogjve kishte ardhur dhe zëri i pëllumbeshës dëgjohej në tokën e saj, melodia e saj e dashurisë ishte më e ëmbël se gjithçka tjetër, ndërsa këndonte, “i dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.” Në kantikun e kantikëve të saj, ajo përherë e thërret atë me atë emër të këndshëm, “i dashuri im!” Edhe në dimrin e gjatë kur idhujtaria pati vyshkur kopshtin e Zotit, profetët e Tij gjetën vend për të vënë mënjanë punën e Zotit për një periudhë dhe të thoshin, ashtu si Isaia, “Dua të këndoj për të dashurin tim një kantik të mikut tim lidhur me vreshtin e tij.”
Edhe pse shenjtorët nuk e patën parë kurrë fytyrën e Tij, edhe pse Ai nuk ishte bërë akoma mish, as nuk pati banuar akoma mes nesh dhe njeriu nuk a pati soditur lavdinë e Tij, prapëseprapë Ai ishte ngushëllimi i Izraelit, shpresa dhe gëzimi i të gjithë të zgjedhurve, “i dashuri” i atyre të gjithëve që ishin të drejtë përpara Shumëtëlartit. Në ditët e pranverës së Kishës, ne e kemi zakon gjithashtu të flasim për Krishtin si i dashuri më i dashur i shpirtit tonë dhe të ndjejmë se Ai është shumë i çmuar, “ai dallon ndër dhjetë mijë veta.” Aq e vërtetë është se Kisha e do Jezusin dhe e quan Atë si të dashurin e saj, sa apostulli guxon të sfidojë gjithë universin për ta ndarë atë prej dashurisë së Krishtit dhe shpall se as persekutimet, as trishtimet, as pikëllimet, as rreziku ose shpata nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë; jo, madje ai mburret me gëzim, “në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të Atij që na deshi.” O njohshim më shumë për Ty, Ti i çmuari përherë!
Zotërimi im i vetëm është dashuria Jote;
Në tokë poshtë, ose qiell lart,
Nuk kam gjë tjetër;
Edhe pse me kërkesë të zjarrtë lutem,
Dhe këmbëngul ditë për ditë para Teje,
Nuk të kërkoj asgjë më shumë.
20 mars-mbrëmje
“Ju, burra, t`i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën.”
{#Efesianëve 5 :25}
Çfarë shembull të artë Krishti i jep dishepujve të Tij! Pak mësues do të guxonin të thonin, “nëse do të donit të vinit në praktikë mësimin tim, imitoni jetën time;” por ashtu si jeta e Jezusit është transkriptimi i saktë i virtytit të përkryer, Ai mund të tregojë te Vetja e Tij si modeli dhe mësuesi i shenjtërisë. Të krishterit nuk duhet t’i mungojë asgjë prej Krishtit si modeli i tij. Nën çdo rrethanë, nuk duhet të jemi të kënaqur nëse nuk pasqyrojmë hirin që ishte në Të. Si bashkëshort, i krishteri duhet të shikojë te portreti i Krishtit Jezus dhe duhet të pikturojë sipas këtij portreti. I krishteri i vërtetë duhet të jetë një bashkëshort i tillë ashtu si Krishti ishte për kishën e Tij. Dashuria e bashkëshortit është e veçantë. Zoti Jezus ushqen për kishën një zemërdhembshuri të veçantë, e cila qëndron mbi pjesën tjetër të njerëzimit: “Unë lutem për ta, nuk lutem për botën.” Kisha e zgjedhur është e favorizuara e parajsës, thesari i Krishtit, kurora e kokës së Tij, byzylyku i krahut të Tij, parzmorja e zemrës së Tij, qendra dhe thelbi i dashurisë së Tij.
Një bashkëshort duhet ta dojë gruan e tij me një dashuri të vazhdueshme, sepse kështu e do Jezusi kishën e Tij. Ai nuk ndryshon në dashurisë e Tij. Ai mund të ndryshojë në shfaqjet e dashurisë së Tij, por vetë dashuria është akoma e njëjtë. Një bashkëshort duhet ta dojë gruan e tij me një dashuri të qëndrueshme, sepse “asgjë nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” Një bashkëshort i vërtetë e do gruan e tij me dashuri të ngrohtë, të zjarrtë dhe të fortë. Nuk është thjesht një lajkë. Ah! i dashur, çfarë mund të bënte vallë Krishti më shumë se ç’bëri për të provuar dashurinë e Tij? Jezusi ka një dashuri të gëzuar kundrejt nuses se Tij; Ai e vlerëson dashurinë e saj dhe gjen ëndje në të me një kënaqësi të ëmbël. Besimtar, ti habitesh prej dashurisë se Jezusit; e admiron atë dashuri—a po e imiton? A është në marrëdhëniet e tua familjare rregulli dhe masa e dashurisë tënde—”sikurse edhe Krishti ka dashur kishën.”
21 mars-mëngjes
“Do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm.”
{#Gjoni 16 :32}
Pak patën bashkësi me pikëllimet e Gjetsemanes. Shumica e dishepujve nuk ishin mjaftueshëm të përparuar në hir për t’u pranuar të vështrojnë misteret e “agonisë.” Të zënë me festën e Pashkës në vetë shtëpinë e tyre, ata përfaqësojnë shumicën që jetojnë sipas shkronjës, por që janë thjesht të sapolindur përsa i përket frymës së ungjillit. Dymbëdhjetë, jo, njëmbëdhjetë u ishte dhënë privilegji të hynin në Gjetsemane dhe të shikonin “këtë pamje të madhe.” Prej të njëmbëdhjetëve, tetë u mbajtën larg; ata patën shoqërim, por jo të atij lloji intim ku pranohen njerëzit shumë të dashur. Vetëm tre shumë të favorizuar mund t’i afroheshin velit të trishtimit misterioz të Zotit tonë; brenda atij veli, edhe këta të tre nuk mund të hynin; një largësi sa një hedhje guri duhet të lihej midis tyre.
Ai duhet të mbeste vetëm dhe prej popullit nuk duhet të kishte asnjë me Të. Pjetri dhe dy bijtë e Zebedeut, përfaqësojnë ata pak të shquar, shenjtorë me përvojë, që mund të shënohen si “Etër;” këta duke pasur punuar mes stuhive, mund në një farë shkalle të masin dallgët gjigante atlantike të pasionit të Shpëtimtarit të tyre. Disave të përzgjedhur u është dhënë, për të mirën e të tjerëve dhe për t’i forcuar në konflikt të ardhshëm, të veçantë dhe të tmerrshëm, të hyjnë në rrethin e brendshëm dhe të dëgjojnë përgjërimet e Kryepriftit vuajtës; ata kanë bashkësi me Të në vuajtjet e Tij dhe bëhen një me vdekjen e Tij. Prapëseprapë edhe këta nuk mund të depërtojnë në vendet sekrete të brengës së Shpëtimtarit. “Vuajtjet e tua të panjohur” është shprehja e jashtëzakonshme e liturgjisë greke; kishte një dhomë të brendshme në dhembjen e Mësuesit tonë, e mbyllur për njohurinë dhe shoqërimin njerëzor. Atje Jezusi “u la vetëm.” Këtu Jezusi ishte më shumë se kurrë një “dhuratë e pashprehshme!” A nuk ka të drejtë Watts-i kur këndon—
Dhe të gjitha gëzimet e panjohura që Ai jep
U blenë me agoni të panjohura.
21 mars-mbrëmje
“A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhesh vargjet e Orionit?”
{#Jobi 38 :31}
Nëse jemi të prirur për t’u mburrur për aftësitë tona, madhëria e natyrës shpejt na tregon se sa imcakë që jemi. Nuk mund të lëvizim as dhe më të voglin prej yjeve të shndritshëm, ose të shuajmë edhe një prej rrezeve të mëngjesit. Ne flasim për fuqi, por qiejt qeshin me ne. Kur Plejadat shkëlqejnë në pranverë me gëzim pranveror, ne nuk mund t’i përmbajmë ndikimet e tyre dhe kur Orioni mbretëron lart dhe viti është i lidhur në zinxhirët e dimrit, ne nuk mund t’i ç’tendosim litarët e akullt. Stinët këmbehen sipas caktimit hyjnor, po ashtu raca njerëzore nuk mund të bëjë ndryshim këtu. Zot, çfarë është njeriu? Në botën shpirtërore si në atë natyrore, fuqia e njeriut është e kufizuar në të gjitha anët. Kur Fryma e Shenjtë përhap ëndjet e Tij në shpirt, asnjë nuk mund të ngasë; e gjitha ligësia dhe finokëria e njerëzve janë të paefektshme për të përmbajtur fuqinë ngjallëse të ngrohtë të Ngushëlluesit.
Kur Ai denjon të vizitojë një kishë dhe ta ngjallë atë, armiqtë më të pandreqshëm nuk mund t’i rezistojnë veprës së mirë; ata mund ta përqeshin, por nuk mund ta pengojnë më shumë se sa mund të tërheqin mbrapa pranverën kur Plejadat sundojnë me ndikimin e tyre. Kështu është vullneti i Perëndisë dhe kështu duhet të bëhet. Në anën tjetër, nëse Zoti në sovranitet, ose në drejtësi, lidh një njeri sa që ai është në skllavëri shpirtërore, kush mund t’i japë vallë liri atij? Vetëm Ai mund të heqë dimrin e vdekjes shpirtërore nga një njeri ose nga një popull. Ai zgjidh vargjet e Orionit dhe asnjë përveçse Atij. Çfarë bekimi që Ai mund ta kryejë këtë gjë. Oh bëftë një mrekulli sonte. Zot, jepi fund dimrit tim dhe lër që të fillojë pranvera ime. Me gjithë dëshirat e mia të zjarrta, nuk mund ta ngre shpirtin tim prej vdekjes dhe plogështisë së tij, por të gjitha gjërat janë të mundura me Ty. Kam nevojë për ndikime qiellore, shkëlqimet e pastra të dashurisë Tënde, rrezet e hirit Tënd, dritën e pamjes Tënde, këto janë Plejada për mua. Vuaj shumë prej mëkatit dhe tundimit, këto janë shenjat e mia dimërore, Orioni im i tmerrshëm. Zot, bëj mrekulli në mua dhe për mua. Amen!
22 mars-mëngjes
“Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej.”
{#Mateu 26 :39}
Ka disa karakteristika mësimdhënëse në lutjen e Shpëtimtarit tonë në orën e Tij të sprovës. Ishte lutje e veçuar. Ai u tërhoq edhe prej të tre dishepujve të Tij të favorizuar. Besimtar, ji shumë në lutje vetëm, sidomos në kohë sprove. Lutja në familje, lutja në publik, lutja në kishë, nuk do të mjaftojë, këto janë shumë të çmuara, por aroma më e mirë do të jetë prej temjanit tënd në përkushtimet e tua individuale, kur asnjë vesh nuk të dëgjon përveç Atij të Perëndisë.
Ishte lutje e përulur. Lluka tha se Ai ra në gjunjë, por një tjetër ungjilltar thotë Ai “ra me fytyrë për tokë.” Ku, atëherë, duhet të jetë vendi yt, ti o shërbëtor i përulur i Mjeshtrit të madh? Pluhuri dhe hiri duhet të mbulojnë kokën tënde! Përulësia na jep pikëmbështetje në lutje. Nuk ka shpresë për fitore me Perëndinë nëse nuk e ulim veten që Ai të na lartësojë në kohën e duhur.
Ishte lutje birnore. “Aba, At.” Do të të duket një kështjellë në ditën e sprovës atëherë kur mbrohesh me adoptimin tënd. Nuk ke të drejta si një subjekt, i ke humbur prej tradhtisë tënde, por asgjë nuk mund të heqë të drejtën e një fëmije për mbrojtjen atërore. Mos ki frikë të thuash, “Ati im, dëgjo klithmën time.”
Vëre se ishte një lutje këmbëngulëse. Ai u lut tre herë. Mos pusho derisa të fitosh. Ji si e veja këmbëngulëse, që me ardhjet e saj të vazhdueshme fitoi atë që përgjërimi i saj i parë nuk mund të fitonte. Vazhdo në lutje dhe ji vigjilent me falënderim.
Së fundmi, ishte lutja e dorëzimit. “Megjithatë, jo si dua Unë, por si do Ti.” Dorëzohu dhe Perëndia do të dorëzohet. Le të jetë ashtu si Perëndia do dhe Perëndia do të caktojë më të mirën. Ji i kënaqur ta dorëzosh lutjen tënde në duart e Tij, I Cili e di kur të japë, si të japë dhe çfarë të japë dhe çfarë të mbajë. Kështu që, duke u përgjëruar, me zell, me këmbëngulje pa u lodhur, prapëseprapë me përulësi dhe dorëzim, me siguri që do të fitosh.
22 mars-mbrëmje
“O Atë, Unë dua që atje ku jam Unë, të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë.”
{#Gjoni 17 :24}
O vdekje! pse e prek vallë pemën ku poshtë degëve të shtrira të saj lodhja çlodhet? Pse heq tutje të shkëlqyeshmin e tokës, ku është e gjithë kënaqësia jonë? Nëse duhet që të përdorësh sëpatën tënde, përdorë mbi pemët që nuk japin fryt; në këtë rast mund edhe të falënderoheshe. Por pse do të rrëzosh përdhe kedrat e pashëm të Libanit? Oh mbaj sëpatën tënde dhe kurse të drejtin. Por jo, nuk ndodh kështu; vdekja godet më të mirin e miqve tanë; më zemërgjeri, më i përshpirtshmi, më i shenjti, më i përkushtuari duhet të vdesë. Dhe pse? Është me anë të lutjes fitimtare së Jezusit—” O Atë, Unë dua që atje ku jam Unë, të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë.” Është kjo lutje që i mban ata mbi krahë shqiponje për në parajsë. Sa herë që një besimtar ngrihet prej kësaj toke në parajsë, është një përgjigje e lutjes së Krishtit.
Një fetar i vjetër i mirë vëren, “shumë herë Jezusi dhe njerëzit e Tij luten në mospërputhje me njëri tjetrin. Ti bie në gjunjë në lutje dhe thua “At, dua që shenjtorët e Tu të jenë me mua atje ku jam;” Krishti thotë, “O Atë, Unë dua që atje ku jam Unë, të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë.”” Kështu që dishepulli është në mospërputhje me Zotin e tij. Shpirti nuk mund të jetë në të dyja vendet; i shtrenjti yt nuk mund të jetë me Krishtin dhe me ty gjithashtu. Tani, kush përgjërues do të fitojë? Nëse do të kishe për të zgjedhur, nëse Mbreti do të zbriste nga froni i Tij dhe të thoshte, “këtu ka dy përgjërues duke u lutur në mospërputhje me njeri tjetrin, kush do të marrë përgjigje?” Oh! Jam i sigurtë, edhe sikur të ishe në agoni, do të ngriheshe përpjetë dhe do të thoshe, “Jezus, jo si dua Unë, por si do Ti.” Do të hiqje dorë prej lutjeve të tua për jetën e të shtrenjtëve të tu, nëse do të kuptoje se Krishti është duke u lutur në drejtim të kundërt—”O Atë, Unë dua që atje ku jam Unë, të jenë me Mua edhe ata që më ke dhënë.” Zot, do t’i kesh ata. Me anë të besimit i lëmë të shkojnë.
23 mars-mëngjes
“Djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.”
{#Lluka 22 :44}
Trysnia mendore e shkaktuar prej betejës së Zotit tonë me tundimin, kaq shumë e shtrëngoi gjendjen e Tij përmes një presioni jo të natyrshëm, sa pika të mëdha gjaku të mpiksur që binin për tokë dilnin jashtë nga poret e Tij. Kjo provon se sa e stërmadhe duhet të ketë qenë pesha e mëkatit sa edhe mund të shtypte Shpëtimtarin, kështu që Ai lëshoi pika të mëdha gjaku të mpiksur! Kjo tregon pushtetin e fuqishëm të dashurisë së Tij. Është shumë vërejtje e bukur ajo e të vjetrit Izak Ambroz se rrëshira që kullon prej pemës pa e prerë atë është përherë më e mira. Kjo pemë e çmuar lëshon aromat më të mira kur u ça prej kamxhikëve me kokël dhe kur u shpua me gozhda mbi kryq, por shiko, lëshon aromën më të mirë kur nuk ka kamxhik, gozhdë ose plagë. Kjo nxjerr në pah se Krishti vuajti vullnetarisht, përderisa gjaku rrodhi lirisht pa goditjen e heshtës.
Nuk ka nevojë të vësh shushunjën, ose të përdorësh thikën; rrjedh vetvetiu. Nuk ka nevojë për udhëheqësit të thërrasin, “gufo o pus;” rrjedh vetë në përrenj të kuq. Nëse njerëzit vuajnë dhembje të mëdha mendore, normalisht, gjaku vërshon në zemër. Faqet janë të zbehta, vjen një ngërç ligështie; gjaku ka shkuar brenda sikur të ushqente njeriun e brendshëm, ndërsa kalon përmes sprovave të tij. Por shiko Shpëtimtarin tonë në agoninë e Tij, Ai kaq shumë e harron veten, sa në vend që agonia ta shtyjë gjakun e Tij në zemër për ta ushqyer, e nxjerr jashtë për të vesuar tokën. Agonia e Krishtit, duke e derdhur Atë mbi tokë, përshkruan plotësinë e flijimit që Ai bëri për njerëzit. A nuk e dallojmë vallë se sa e fortë duhet të ketë qenë beteja që përjetoi dhe a nuk do ta dëgjojmë zërin e Tij për ne? “Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit.” Shikoni Kryeapostullin dhe Kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë dhe madje djersitni deri në gjak se sa ti dorëzoheni kryetunduesit të shpirtrave tuaj.
23 mars-mbrëmje
“Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.”
{#Lluka 19:40}
Por a mund të bërtasin gurët? Me siguri që po, nëse Ai që hap gojën e memecit do t’i urdhëronte të ngrinin lart zërin e tyre. Me siguri që nëse do të flisnin, do të kishin shumë për të dëshmuar në lavdi të Atij që i krijoi me anë të fjalës së fuqisë së Tij; do të madhëronin urtësinë dhe fuqinë e Krijuesit të tyre që i solli në ekzistencë. A nuk do të flasim mirë ne për Atë që na rilindi dhe prej gurëve bëri bij të Abrahamit? Shkëmbinjtë e vjetër mund të flasin për kaosin dhe rregullin dhe veprën e Perëndisë në periudhat e njëpasnjëshme të dramës së krijimit; dhe a nuk mund të flasim ne për dekretet e Perëndisë, të veprës së madhe të Perëndisë në kohët e vjetra, për gjithçka që Ai bëri për kishën e Tij në ditët e hershme?
Nëse gurët do të flisnin, do të flisnin për thyesin e tyre, se si ai i nxori prej gurores dhe i bëri të përshtatshëm për tempullin dhe a nuk mund të flasim ne për Thyesin tone të lavdishëm, që theu zemrat tona me çekiçin e fjalës së Tij, që të na mund të na ndërtonte në tempullin e Tij? Nëse gurët do të bërtisnin, ato do të madhëronin ndërtuesin e tyre, që i pastroi dhe i formoi sipas shëmbëllimit të një pallati dhe a nuk do të flasim ne për Arkitektin dhe Ndërtuesin tonë, që na ka vendosur në vendin tonë në tempullin e Perëndisë së gjallë? Nëse gurët do të bërtisnin, do të kishin një histori të gjatë, shumë të gjatë për të na thënë si memorial, sepse shumë herë një gur i madh ka qenë rrokullisur si një memorial përpara Zotit dhe ne gjithashtu mund të dëshmojmë për Ebenezere, gurët e ndihmës, shtyllat e kujtesës. Gurët e thyer të ligjit bërtasin kundra nesh, por Vetë Krishti, që rrokullisi tutje gurin prej hyrjes së varrit, flet për ne. Gurët mund të bërtasin, por ne nuk do t’i lëmë kështu; do t’i bëjmë të heshtin zhurmat e tyre me tonat; do të shpërthejmë në kantikë të shenjtë dhe do të bekojmë madhërinë e Shumëtëlartit, duke e lavdëruar gjithë ditët tona Atë që quhet nga Jakobi Bariu dhe Guri i Izraelit.
24 mars-mëngjes
“Ai u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.”
{#Hebrenjve 5:7}
A nuk u ngrit kjo frikë prej sugjerimit të skëterrshëm se ishte krejtësisht i braktisur. Mund të ketë sprova më të rrepta se kjo, por me siguri që është një prej më të këqijave të jesh krejtësisht i braktisur. “Shiko,” thotë satanai, “nuk ke më shok asgjëkund! Ati yt ka mbyllur ndaj Teje zemrën e Tij të mëshirshme. As dhe një engjëll në oborret e Tij nuk do të shtrijë dorën për të të ndihmuar. E gjithë parajsa është e huaj për Ty; je vetëm. Shiko një herë miqtë me të cilët ke ndarë këshilla, çfarë vlejnë vallë ata? Bir i Marisë, shiko atje vëllain Tënd Jakob, shiko Gjonin dishepullin Tënd të dashur dhe Pjetrin apostullin Tënd të guximshëm, se si frikacakët flenë kur gjendesh mes vuajtjeve të Tua! Ja! Nuk ke miq më në qiell ose në tokë. I gjithë ferri është kundër teje. Kam zgjuar strofullën time të skëterrshme. Kam dërguar letrat e mia përmes gjithë krahinave duke u bërë thirrje çdo princi të errësirës të lëshohen kundra Teje këtë natë dhe nuk do të kursejmë shigjeta, do të përdorim të gjithë fuqinë tonë të skëterrshme për të të përmbysur dhe çfarë do të bësh, ti fillikat?” Ndoshta, ky ishte tundimi; mendojmë se ky ishte, sepse shfaqja e engjëllit për ta forcuar e hoqi atë frikë. Ai u dëgjua për shkak të frikës së Tij nga Perëndia; nuk ishte më vetëm, por parajsa ishte me Të. Mund të jetë kjo arsyeja e ardhjes së Tij tre herë te dishepujt e Tij—ashtu siç thotë Harti—
“Mbrapa dhe përpara tre herë eci
Sikur të kërkonte ndonjë ndihmë prej njeriut.”
Ai donte të shikonte vetë nëse ishte e vërtetë se të gjithë njerëzit e patën braktisur; i gjeti të përgjumur, por ndoshta gjeti ndonjë ngushëllim të mekët prej mendimit se ata po flinin, jo prej tradhtisë, por prej trishtimit, fryma me të vërtetë ishte e vullnetshme, por mishi ishte i dobët. Sido që të jetë, Ai u dëgjua për shkak të frikës së Tij nga Perëndia. Jezusi u dëgjua në brengën e Tij më të thellë; shpirti im, ti do të dëgjohesh gjithashtu.
24 mars-mbrëmje
“Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frymë.”
{#Lluka 10 :21}
Shpëtimtari ishte një “njeri i pikëllimit,” por çdo mendje përsiatëse ka zbuluar faktin se thellë në brendësinë e shpirtit të Tij Ai mbante një thesar të pashtershëm gëzimi qiellor dhe të rafinuar. Prej gjithë racës njerëzore, nuk kishte kurrë një njeri që pati një paqe më të qëndrueshme, më të pastër, më të thellë se Zoti ynë Jezu Krisht. “Ai është vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tij.” Dashamirësia e Tij e madhe prej vetë natyrës së saj, duhet t’i ketë dhënë Atij kënaqësinë më të thellë të mundshme, sepse dashamirësia është gëzim. Kishte disa periudha të jashtëzakonshme kur ky gëzim u shfaq. “Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frymë dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës.”
Krishti pati këngët e Tij, edhe pse në kohë të errëta; edhe pse fytyra e Tij u shfytyrua dhe pamja e Tij pati humbur shkëlqimin e lumturisë tokësore, megjithatë herë pas here ndriçohej me një shkëlqim të pashoq të një gëzimi të pakrahasueshëm, teksa mendonte te shpërblimi dhe në mes të bashkësisë këndonte për nder të lavdisë së Perëndisë. Në këtë gjë, Zoti Jezus është një figurë e bekuar e kishës në tokë. Në këtë orë, kisha pret që të ecë në shoqërim me Zotin e saj përgjatë një rrugë me gjemba; përmes shumë vuajtjeve ajo po çan me forcë udhën e saj drejt kurorës. Të mbajë kryqin është detyra e saj, të përqeshet e të llogaritet si një e huaj prej fëmijëve të nënës së saj është risku i saj dhe prapëseprapë kisha ka një burim të thellë gëzimi, nga ku asnjë nuk mund të pijë përveçse fëmijët e saj. Ka depo vere, vaji dhe gruri, të fshehur në mes të Jeruzalemit tonë, ku shenjtorët e Perëndisë mbështeten dhe ushqehen përherë e më shumë; dhe ndonjëherë, ashtu si në rastin e Shpëtimtarit tonë, ne kemi periudhat tona të një kënaqësie të fortë, sepse “është një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë.” Edhe pse jemi të syrgjynosur, gëzohemi në Mbretin tonë; po, në Të ne gëzohemi shumë, ndërsa në emrin e Tij ngremë flamujt tanë.
25 mars-mëngjes
“Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?”
{#Lluka 22 :48}
“Janë të rreme të puthurat e një armiku.” Le të ruhem kur bota merr një fytyrë të dashur, sepse, nëse është e mundur, do të më tradhtonte, ashtu siç ndodhi me Mjeshtrin tim, me një puthje. Kur një njeri është gati për të goditur fenë me thikë, zakonisht shpall shumë përnderim për të. Le të kem kujdes prej hipokrizisë me fytyrë të ëmbël e cila është armëmbajtësja e herezisë dhe e pabesisë. Duke i njohur mashtrimet e padrejtësisë, le të jem i zgjuar si një gjarpër për të zbuluar dhe për të shmangur qëllimet e armikut. Djali i ri, i paditur, doli nga udha prej puthjes së një gruaje të huaj; qoftë shpirti im kaq shumë hirshëm i mësuar këtë ditë, sa “fjalët shumë bindëse” të botës të mos kenë efekt mbi mua. Frymë e Shenjtë, mos më lër, një bir njeriu i brishtë si unë, të tradhtohem me një puthje!
Por sikur të jem fajtor për të njëjtin mëkat të mallëkuar si ai i Judës, ai bir i humbjes? Jam pagëzuar në emrin e Zotit Jezus; jam një pjesëtar i kishës së Tij të dukshme, ulem në tryezën e darkës së shenjtë; të gjitha këto janë kaq shumë puthje të buzëve të mia. A jam i sinqertë në to? Nëse jo, jam një tradhëtar i ulët. A jetoj në botë po me aq shkujdesje sa të tjerët dhe prapëseprapë shpall se jam një ndjekës i Jezusit? Atëherë e paraqes hapur fenë si qesharake dhe i jap shkas njerëzve të flasin keq për emrin e shenjtë me të cilin thirrem. Me siguri që nëse veproj kaq me paqëndrueshmëri, jam një Judë dhe do të ishte më mirë për mua që të mos kisha lindur kurrë. A guxoj të shpresoj se jam i pastër në këtë gjë? Atëherë, O Zot, më ruaj kështu. O Zot, më bëj të sinqertë dhe të vërtetë. Më ruaj prej çdo rruge të rremë. Mos më lër kurrë të tradhtoj Shpëtimtarin tim. Të dua Jezus dhe edhe pse shpesh të trishtoj, prapëseprapë dëshiroj të të qëndroj besnik deri në vdekje. Oh larg qoftë që të jem një besimrrëfyes i madh dhe më pas të bie së fundmi në liqenin e zjarrit, ngaqë tradhtova Mjeshtrin tim me një puthje.
25 mars-mbrëmje
“Biri i njeriut.”
{#Gjoni 3 :13}
Sa shpesh që Mjeshtri ynë përdori titullin, “Biri i njeriut!” Mund të kishte zgjedhur të fliste për Veten si Biri i Perëndisë, Ati i Përjetshëm, i Mrekullueshmi, Këshilltari, Princi i Paqes, por shih përulësinë e Jezusit! Ai parapëlqen të quhet Biri i njeriut. Le të marrim një mësim përulësie nga Shpëtimtari ynë; le të mos lakmojmë tituj të mëdhenj as diploma të larta. Megjithatë këtu ka një mendim shumë të ëmbël. Jezusi e deshi njerëzimin kaq shumë sa Ai u kënaq ta nderonte dhe përderisa është një nder i madh dhe me të vërtetë, dinjiteti më i madh i njerëzimit, që Jezusi është Biri i njeriut, Ai e ka zakon të nxjerrë në pah këtë emër, që të mund të varë yje mbretërore mbi kraharorin e njerëzimit dhe të tregojë dashurinë e Perëndisë për pasardhjen e Abrahamit. Biri i njeriut—sa herë që Ai e tha këtë fjalë, përhapi një aureolë rreth kokës së bijve të Adamit.
Megjithatë ka ndoshta një mendim më të çmuar akoma. Jezu Krishti e quajti Veten Biri i njeriut për të shprehur bashkimin dhe dashamirësinë me popullin e Tij. Ai kështu na kujton se është Ai, të Cilit mund t’i afrohemi pa frikë. Si një njeri, ne mund t’i çojmë Atij të gjitha dhembjet dhe telashet tona, sepse Ai i njeh prej përvojës, për shkak se Ai Vetë vuajti si “Biri i njeriut,” është i zoti të na ndihmojë dhe të na ngushëllojë. Të gjithë të përshëndesin Ty Jezus i bekuar! meqënëse Ti po përdor përherë emrin e ëmbël që tregon se je një vëlla dhe një i afërt, është për ne një dëshmi e hirit, e përulësisë dhe dashurisë Tënde.
O shiko se si Jezusi ia jep Veten
Dashurisë sonë foshnjore,
Sikur me çiltërsinë e Tij
Të provonte zellin tonë!
Emrin e Tij të shenjtë mbi tokë
Do që ta dëgjojë si një fjalë të zakonshme
Nuk ka madhështi në Të
Që dashuria nuk mund t’i afrohet.
26 mars-mëngjes
“Jezusi u përgjigj: “nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë.”
{#Gjoni 18 :8}
Vëre, shpirti im, përkujdesjen që Jezusi shfaqi për delet e Tij, madje edhe në orën e sprovës! Pasioni sundues është i fortë në orën e vdekjes. Ai i dorëzohet armikut, por ndërhyn me një fjalë fuqie për të liruar dishepujt e Tij. Përsa i përket Vetes së Tij, ashtu si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që e qethin, nuk e hapi gojë, por për hir të dishepujve të Tij Ai flet me energji të fuqishme. Këtu ka dashuri të vazhdueshme, vetë flijuese dhe besnike. Por a nuk ka këtu më shumë se ç’gjendet mbi sipërfaqe? A nuk kemi vetë shpirtin dhe frymën e shlyerjes në këto fjalë? Bariu i Mirë jep jetën e Tij për delet dhe i del në mbrojtje që ato të shkojnë të lirë. Kapari u siguria dhe drejtësia kërkon që ato për të cilët Ai qëndron si një zëvendësues se duhet të vazhdojnë në rrugën e tyre. Në mes të skllavërisë së Egjiptit, ai zë tingëllon si një fjalë fuqie, “i lini këta të shkojnë.” Të shlyerit duhet të dalin prej skllavërisë së mëkatit dhe satanait.
Në çdo birucë të burgjeve të Dëshpërimit, tingulli jehon, “i lini këta të shkojnë,” dhe Dëshpërimi dhe Frikacaku dalin jashtë. Satanai dëgjon zërin e njohur dhe e ngre këmbën e tij prej zverkut të të rënëve; Vdekja e dëgjon atë dhe varri hap portat e saj për të lënë të vdekurit të ngrihen. Udha e tyre është një udhë përparimi, shenjtërimi, triumfi, lavdie dhe asnjë nuk do të guxojë t’i pengojë. Nuk do të ketë në shtegun e tyre asnjë luan dhe as ndonjë kafshë grabitqare nuk do të afrohet. “Suta e mëngjesit” ka tërhequr gjahtarët mizorë pas vetes dhe tani kaprollet më të frikësuar dhe suta e fushës mund të kullosin në paqe të përkryer mes zambakë të Tij të bukur. Reja e zezë ka shpërthyer mbi Kryqin e Kalvarit dhe shtegtarët e Sionit nuk do të goditën kurrë prej rrufeve të hakmarrjes. Eja zemra ime, gëzohu në paprekshmërinë që Shpëtimtari yt të ka siguruar dhe beko emrin e Tij gjatë gjithë ditës dhe çdo ditë.
26 mars-mbrëmje
“Kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”
{#Marku 8 :38}
Nëse kemi qenë pjesëmarrës me Jezusin në poshtërimin e Tij, do të jemi pjesëtare me Të në shkëlqimin që do ta rrethojë kur të shfaqet përsëri në lavdi. I dashur, a je me Krishtin Jezus? A je lidhur me Të në një bashkim të gjallë? Atëherë ti je me Të sot në poshtërimin e Tij; ke marrë kryqin e Tij dhe ke shkuar me Të jashtë kampit duke mbajtur turpin e Tij; padyshim që do të jesh me Të kur kryqi të shkëmbehet me kurorën. Mirëpo ekzamino veten tënde këtë mbrëmje, sepse nëse nuk je me Të në ripërtëritje, nuk do të jesh me Të kur Ai do të vijë në lavdinë e Tij. Nëse zmbrapsesh prej anës së zezë të shoqërimit nuk do ta kuptosh periudhën e tij të lumtur të shkëlqyeshme, kur Mbreti do të vijë, me gjithë engjëjt e Vet.
Çfarë! janë engjëjt me Të? Dhe prapëseprapë Ai nuk mori engjëj—mori pasardhjen e Abrahamit. A janë engjëjt e shenjtë me Të? Eja shpirti im, nëse je me të vërtetë i dashuri i Tij, nuk mund të jesh larg Tij. Nëse miqtë dhe të afërmit e Tij janë të thirrur së bashku për të parë lavdinë e Tij, atëherë çfarë duhet të bësh ti nëse je i martuar me Të? A do të qëndrosh larg? Edhe sikur të jetë ditë gjykimi, prapëseprapë nuk mund të jesh larg prej zemrës që duke pasur pranuar engjëjt që qëndrojnë afër, të ka pranuar për t’u bashkuar me ty. Vallë a nuk të ka thënë o shpirti im, “do të fejohesh me Mua përjetë; do të fejohesh me Mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri.” A nuk e kanë thënë vetë buzët e Tij këtë, “do të të quajnë “Kënaqësia ime është tek ajo” dhe toka jote “E Martuar?” Nëse engjëjt që janë veçse miq dhe të afërm, do të jenë me Të, atëherë është më se e sigurtë se Hefzibah e Tij e dashur, në të cilën është e gjithë kënaqësia e Tij, do të jetë afër Tij dhe do të ulet në krahun e Tij të djathtë. Këtu ka një yll mëngjesi shprese për ty, i një shkëlqimi kaq të madh sa mund të ndriçojë përvojën më të dëshpëruar dhe më të errët.
27 mars-mëngjes
“Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.”
{#Mateu 26:56}
Ai kurrë nuk i la vetëm, por ata me frikë burracake për jetët e tyre, e lanë dhe ikën prej Tij që në fillimin e vuajtjeve të Tij. Ky nuk është veçse një shembull mësimdhënës i brishtësisë së të gjithë besimtarëve nëse lihen pa bari; më së miri ata nuk janë veçse dele dhe ikin tutje kur vjen ujku. Të gjithë qenë paralajmëruar për rrezikun dhe patën premtuar më mirë të vdisnin se sa të braktisnin Mjeshtrin e tyre; dhe prapëseprapë u kapën prej një paniku të papritur dhe ua mbathën këmbëve. Mund të jetë se unë, në hapjen e kësaj dite, e kam mbledhur mendjen që të duroj një sprovë për hir të Zotit dhe e përfytyroj veten si të sigurtë për të nxjerrë në pah besnikëri të përkryer, por le të jem shumë xheloz për veten time, nga frika se, duke pasur të njëjtën zemër mosbesimi, e lë Zotit tim dhe iki prej Tij ashtu siç bënë apostujt. Është një gjë të premtosh dhe një tjetër të realizosh. Do të kishte qenë një nder i përjetshëm për ta, nëse do të kishin qëndruar në të djathtën e Jezusit me burrëri; ata e lanë dhe ikën prej nderit; dhëntë Zoti që të mos ndjek shembullin e tyre!
Ku vallë do të kishin qenë më të sigurtë se sa afër Mjeshtrit të tyre, që menjëherë mund të thërriste dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Ata e lanë dhe ikën prej sigurisë së vërtetë. O Perëndi, mos më lër të sillem kaq me çmenduri gjithashtu. Hiri hyjnor mund ta bëjë frikacakun trim. Kandili tymues mund të nxjerrë flakë mbi altar nëse është vullneti i Zotit. Vetë këta apostuj që ishin të druajtur si lepuj, u bënë të guximshëm si luanë mbasi Fryma pati zbritur mbi ta dhe po ashtu Fryma e Shenjtë mund ta bëjë frymën time të pabesë një frymë trime për të rrëfyer Zotin tim dhe për të dëshmuar të vërtetën e Tij. Çfarë ankthi duhet të ketë mbushur Shpëtimtarin mbasi pa miqtë e Tij kaq të pabesë! Ky ishte një përbërës i hidhur në kupën e Tij, por ajo kupë u pi deri në fund; le të mos hedh një tjetër pikë në të. Nëse e braktis Zotin tim, do ta kryqëzoj përsëri dhe do ta turpëroj botërisht. Më ruaj O Frymë e bekuar nga një fund kaq të turpshëm.
27 mars-mbrëmje
“Ajo tha: “Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
{#Mateu 15 :27}
Kjo grua fitoi ngushëllim në mjerimin e saj duke pasur MENDIME TË LARTA PËR KRISHTIN. Mjeshtri pati folur në lidhje me bukën e fëmijëve: “Tani,” arsyetoi ajo, “përderisa Ti je Zoti i tryezës së hirit, e di se je një zot shtëpie zemërgjerë dhe është e sigurtë se ka bollëk buke në tryezën Tënde; do të ketë një bollëk të tillë për fëmijët sa do të ketë thërrime për t’u hedhur në dysheme për qentë dhe fëmijët nuk do të mbahen më keq për shkak se qentë ushqehen.” Ajo e mendoi Atë si Dikë që e mbante kaq mirë tryezën sa gjithçka që ajo dëshironte nuk do të ishte veçse një thërrime; prapëseprapë kujto se ajo donte që djalli të nxirrej jashtë prej vajzës së saj. Ishte një gjë shumë e madhe për të, por ajo pati një vlerësim kaq të lartë për Krishtin, sa tha, “nuk është gjë për Të, nuk është veçse një thërrime për Krishtin.”
Kjo është udha mbretërore për ngushëllim. Mendimet e mëdha vetëm për mëkatin tënd, do të të shpien në dëshpërim, por mendime të larta për Krishtin do të të drejtojnë në limanin e paqes. “Mëkatet e mia janë të shumta, por oh! janë hiç gjë për Jezusin për t’i fshirë të gjitha. Pesha e fajit tim më shtyp poshtë ashtu si një këmbë gjigante do të shtypte një krimb, por për Të nuk është më shumë se një grimcë pluhuri, sepse Ai tashmë ka mbajtur mallkimin e fajit në vetë trupin e Tij mbi kryq. Për Të do të jetë një gjë e vogël për të më dhënë faljen e plotë, edhe pse do të jetë një bekim i pafund për mua ta marr atë.” Gruaja e hap gjerësisht shpirtin e saj, duke pritur gjëra të mëdha prej Jezusit dhe Ai e mbush atë me dashuri. Lexues i dashur, bëj të njëjtën gjë. Ajo rrëfeu çfarë Krishti kishte vënë te dera e saj, por ajo e mbërtheu Atë dhe nxori argumente prej fjalëve të Tij të rrepta; ajo besoi gjëra të mëdha prej Tij dhe kështu doli fitimtare. AJO FITOI BETEJËN DUKE BESUAR NË TË. Rasti i saj është një shembull i besimit fitimtar dhe nëse do të donim të fitonim si ajo, duhet që të imitojmë taktikat e saj.
28 mars-mëngjes
“Dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri.”
{#Efesianëve 3:19}
Dashuria e Krishtit në ëmbëlsinë, plotësinë, përmasën dhe besnikërinë e saj, tejkalon çdo kuptim njerëzor. Ku mund të gjendet gjuhë vallë që mund të përshkruajë dashurinë e Tij të pashoqe e të pakrahasueshme për bijtë e njerëzve? Është kaq e gjerë dhe kaq pakufi sa, ashtu si dallëndyshja prek përciptas ujin dhe nuk zhytet në thellësitë e tij, të gjitha fjalët që e përshkruajnë veçse prekin sipërfaqen, ndërsa thellësia e pamasë ndodhet poshtë. Mirë e ka thënë poeti,
O dashuri, hon i pafund!
Sepse kjo dashuri e Krishtit është me të vërtetë e pamasë dhe e pafund; asnjë nuk mund ta arrijë. Përpara se të kemi ndonjë ide të saktë në lidhje me dashurinë e Jezusit, duhet që të kuptojmë lavdinë e Tij të mëparshme në lartësitë e saj të madhështisë dhe mishërimin e Tij mbi tokë në të gjithë thellësitë e poshtërimit. Por kush mund të na flasë vallë për madhështinë e Krishtit? Kur ishte i fronëzuar në qiejt me të lartë Ai ishte vetë Perëndia i vërtetë; me anë të Tij u bënë qiejt dhe e gjithë ushtria e tyre. Krahu i Tij i plotfuqishëm mbajti sferat; lavdërimet e kerubinëve dhe të serafinëve e rrethonin Atë përherë; kori i plotë i halelujave të universit pa pushim derdhej te këmba e fronit të Tij; Ai mbretëroi i epërm mbi të gjitha krijesat e Tij, Perëndi mbi gjithçka, i bekuar përherë. Kush mund të flasë pra për lartësinë e lavdisë së Tij? Dhe kush, në anën tjetër, mund të tregojë se sa poshtë zbriti? Ekzistenca e Tij si njeri ishte diçka, por si një njeri i vuajtjeve ishte akoma më shumë; të gjakosej, të vdiste, të vuante, këto ishin shumë për Të që ishte Biri i Perëndisë, por të vuante një agoni të tillë të pashoqe—të duronte një vdekje turpi dhe braktisjeje prej Atit të Tij, kjo është një thellësi dashurie begenisëse që mendja më e frymëzuar dështon tërësisht ta hulumtojë. Këtu ka dashuri! dhe me të vërtetë është një dashuri që “tejkalon çdo njohuri.” Oh, kjo dashuri na mbushtë zemrat tona me mirënjohje adhuruese dhe na udhëheqtë në shfaqje praktike të fuqisë së saj.
28 mars-mbrëmje
“Unë do të kënaqëm me ju si me një parfum me erë shumë të këndshme.”
{#Ezekieli 20 :41}
Meritat e Shpëtimtarit tonë të madh janë një aromë e këndshme për Shumëtëlartin. Qoftë drejtësia vepruese ose mosvepruese e Krishtit, është e njëjta aromë. Kishte një parfum të këndshëm në jetën e Tij vepruese me anë të cilit Ai nderoi ligjin e Perëndisë dhe bëri çdo parim të shkëlqejë si një gur të çmuar në kornizën e pastër të vetë personit të Tij. E tillë ishte gjithashtu, bindja e tij mosvepruese kur duroi me nënshtrim të heshtur, urinë dhe etjen, të ftohtin dhe varfërinë dhe në fund djersiti në Gjetsemane pika të mëdha gjaku të mpiksur, i paraqiti kurrizin atij që e rrihte dhe faqet atij që shkulte mjekrën dhe u mbërthye në drurin mizor, që të vuante kështu zemërimin e Perëndisë në vendin tonë. Këto dy gjëra janë të këndshme përpara Shumëtëlartit dhe për hir të veprës dhe vdekjes së Tij, vuajtjeve dhe bindjes së Tij zëvendësuese, Zoti Perëndia ynë na pranon.
Çfarë çmueshmërie që duhet të ketë Ai që mposhti mungesën tonë të çmueshmërisë! Çfarë shije e ëmbël sa të largojë shijen tonë të keqe! Çfarë fuqie pastruese në gjakun e Tij për të fshirë mëkate si ato tonat! dhe çfarë lavdie në drejtësinë e Tij për të bërë të tilla krijesa të papranueshme, të pranohen në Shumëtëdashurin! Përkujdesu që të mos dyshosh kurrë pranimin tënd në Jezus. Nuk mund të pranohesh pa Krishtin, por, ndërsa ke marrë meritën e Tij, nuk mund të jesh i papranuar. Me gjithë dyshimet, frikërat dhe mëkatet e tua në vetvete, prapëseprapë kur Ai të shikon përmes Krishtit, Ai nuk shikon asnjë mëkat. Je përherë i pranuar në Krisht, përherë i bekuar dhe i shtrenjtë për zemrën e Atit. Prandaj këndo një këngë dhe teksa sheh këtë mbrëmje temjanin tymues të meritës së Shpëtimtarit duke u ngjitur lart para fronit prej safiri, temjani i lavdërimit tënd shkoftë lartë gjithashtu.
29 mars-mëngjes
“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi.”
{#Hebrenjve 5:8}
Na thuhet se Kapiteni i shpëtimit tonë u bë i përkryer përmes vuajtjes, prandaj ne që jemi mëkatarë dhe që jemi larg përkryerjes, nuk duhet të habitemi nëse jemi thirrur të kalojmë përmes vuajtjes gjithashtu. A kurorëzohet koka me gjemba dhe gjymtyrët e tjerë të trupit do të preheshin në rehati? A duhet që Krishti të kalojë përmes lumenjve të vetë gjakut të Tij për të fituar kurorën dhe a duhet që ne të ecim për në parajsë me pantofla të argjendta? Jo, përvoja e Mjeshtrit tonë na mëson se vuajtja është e nevojshme dhe fëmija i vërtetë i lindur nga Perëndia nuk duhet, nuk do të donte që t’i shpëtonte nëse do të ishte e mundur. Mirëpo ka një mendim shumë ngushëllues në faktin e “përkryerjes të Krishtit përmes vuajtjeve.”—me qëllim që Ai të ketë keqardhje të plotë për ne.
“Ai nuk është një kryeprift që nuk mund t`i vijë keq për dobësitë tona.” Në këtë keqardhje të Krishtit, ne gjejmë një fuqi mbështetëse. Një prej martirëve të hershëm tha, “mund ta duroj të gjithë, sepse Jezusi vuajti dhe tani vuan në mua, Atij i vjen keq për mua dhe kjo më bën të fortë.” Besimtar, mbërtheje këtë mendim në çdo çast agonie. Mendimi për Jezusin të forcoftë ndërsa ndjek hapat e Tij. Gjej një mbështetje të ëmbël në keqardhjen e Tij dhe kujto se të vuash është nder—të vuash për Krishtin është lavdi. Apostujt u gëzuan se u vlerësuan si të denjë për këtë gjë. Aq sa Zoti do të na japë hir për të vuajtur për Krishtin, për të vuajtur me Krishtin, po dhe aq na nderon. Gurët e çmuar të të krishterit janë pikëllimet e tij. Emblemat e mbretërve që Perëndia ka vajosur janë telashet, pikëllimet dhe brengat e tyre. Kështu që mos të shmangemi nga nderimi. Le të mos shmangemi nga lartësimi. Brengat na lartësojnë dhe telashet na gjallërojnë. “Në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me Të.”
29 mars-mbrëmje
“E thirra, por ai nuk m’u përgjigj.”
{#Kantiku i kantikëve 5 :6}
Lutja ndonjëherë pret si një lutës te porta, derisa Mbreti shfaqet për të mbushur kraharorin e saj me bekimet që ajo kërkon. Zoti, kur ka dhënë besim të madh, dihet se e vë në provë me vonesa të gjata. Ai ka lejuar që zërat e shërbëtorëve të Tij të jehojnë në veshët e tyre si prej një qielli të tunxhtë. Ata kanë trokitur në portën e artë, por ajo ka qëndruar e palëvizshme, sikur të ishte e ndryshkur në menteshat e saj. Ashtu si Jeremia, ata kanë thirrur, “Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalojë dot.” Kështu, shenjtorët e vërtetë kanë vazhduar gjatë duke pritur me durim, por pa përgjigje, jo sepse lutjet e tyre nuk ishin të zjarrta, jo sepse nuk ishin të papranuara, por sepse kështu i pëlqeu Atij që është Sovran dhe jep sipas vetë pëlqimit të Tij. Nëse i pëlqen të urdhërojë durimin të ushtrohet, a nuk do të bënte vallë me të vetët ashtu si do! Lypësit nuk duhet të zgjedhin as kohën, as vendin as mënyrën.
Mirëpo ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i marrim vonesat në lutje si mohime; çeqet e Perëndisë të datuar para shumë kohësh do të nderohen me përpikmëri; ne nuk duhet ta lejojmë satanain të shkundë mirëbesimin tonë në Perëndinë e së vërtetës duke treguar me gisht lutjet tona pa përgjigje. Peticionet pa përgjigje nuk janë të padëgjuara. Perëndia mban një dosje për lutjet tona—ato nuk janë të shpërndara tutje nga era, ato grumbullohen si thesar në arkivat e Mbretit. Ky është një regjistër në oborrin e qiellit ku çdo lutje është e shënuar. Besimtar i sprovuar, Zoti yt ka një lotore ku janë ruajtur pikat e çmueshme të pikëllimit të shenjtë dhe një libër ku janë të numëruara psherëtimat e tua të shenjta. Së shpejti, peticioni yt do të fitojë. A nuk mund të jesh i kënaqur ndërsa pret pak? A nuk do të jetë më i mirë koha e Zotit se sa koha jote? Së shpejti, Ai do të shfaqet me ngushëllim, për gëzimin e shpirtit tënd dhe do të të bëjë të largosh thesin dhe hirin e pritjes tënde të gjatë dhe të veshësh pëlhurën e kuqe dhe të hijshme të përmbushjes të plotë.
30 mars-mëngjes
“U përfshi midis keqbërësve.”
{#Isaia 53:12}
Pse Jezusi e lejoi veten të numërohej mes mëkatarëve? Kjo begenisje e mrekullueshme ishte e justifikuar prej shumë arsyesh të fuqishme. Nën një karakter të tillë, Ai mund të jetë më mirë avokati i tyre. Në disa gjyqe ka një njëjtësim të këshilltarit me klientin, po ashtu ata nuk mund të shikohen nën sytë e ligjit si veç e veç njeri tjetrit. Tani, kur mëkatari sillet në bankën e të akuzuarit, vetë Jezusi shfaqet atje. Ai qëndron për t’iu përgjigjur akuzës. Ai tregon ijën e Tij, duart e Tij, këmbët e Tij dhe sfidon Drejtësinë të sjellë ndonjë akuzë kundër mëkatarëve që Ai përfaqëson; Ai del në mbrojtje me gjakun e Tij dhe del në mbrojtje kaq triumfalisht, duke qenë i numëruar me ta dhe duke pasur një pjesë me ta sa Gjykatësi shpall, “kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të.”
Zoti ynë u numërua me shkelësit me qëllim që ata të ndjenin zemrat e tyre të tërhequra drejt Tij. Kush mund të ketë frikë prej dikujt që është i shënuar në të njëjtën listë me ne? Me siguri ne mund të vijmë guximshëm te Ai dhe të rrëfejmë fajin tonë. Ai që është i numëruar me ne, nuk mund të na dënojë. A nuk u shënua në listën e shkelësve që ne të mund të shënohemi në rrotullën e purpurt të shenjtorëve? Ai ishte i shenjtë dhe i shënuar midis shenjtorëve; ne ishim fajtorë dhe të numëruar midis fajtoreve; Ai kalon emrin e Tij prej asaj liste në këtë aktakuzë të zezë dhe emrat tanë janë të mbartur prej aktakuzës dhe janë të shkruar në rrotullën e pranimit, sepse ka një kalim të plotë të kryer midis Jezusit dhe popullit të Tij. Jezusi ka marrë të gjithë gjendjen tonë të mjerimit dhe mëkatit; dhe gjithçka që Jezusi ka, vjen te ne. Drejtësia e Tij, gjaku i Tij dhe çdo gjë që Ai na ka dhënë si paja jonë. Gëzohu besimtar, në bashkimin tënd me Të, i Cili u numërua midis shkelësve; dhe provo se je me të vërtetë i shpëtuar duke qenë dallueshëm i numëruar me ata që janë krijesa të reja në Të.
30 mars-mbrëmje
“Le të shqyrtojmë rrugët tona, t’i hetojmë dhe të kthehemi te Zoti.”
{#Vajtimet 3 :40}
Nusja që me ëmbëlsi e do dhëndrin e saj mungues, dëshiron me zjarr kthimin e tij; një ndarje e zgjatur gjatë prej bashkëshortit të saj është një gjysmë vdekje për frymën e saj dhe po kështu me shpirtrat që e duan shumë Shpëtimtarin, ata duhet të shikojnë fytyrën e Tij, ata nuk mund të durojnë që Ai të jetë tutje mbi malet e ndarjes dhe të mos mbajë më shoqërim me ta. Një vështrim qortues, një gjest jo miratues do të jetë i dhembshëm për fëmijë të dashur që druajnë të fyejnë atin e tyre të butë dhe janë të lumtur vetëm me buzëqeshjen e tij. Të dashur, kështu ishte një herë me ju. Një tekst i Shkrimit, një kërcënim, një prekje e fshikullës së pikëllimit dhe shkuat te këmbët e Atit tuaj, duke thirrur, “bëmë të ditur pse grindesh me mua.” A është kështu tani? A jeni të kënaqur të ndiqni Jezusin nga larg? A mund të dalloni shoqërimin e ndërprerë me Krishtin, pa qenë të alarmuar? A mund të duroni që i Shumëdashuri juaj të ecë kundra jush sepse ju ecni kundra Tij? A ju kanë ndarë mëkatet tuaja me Perëndinë tuaj dhe a është zemra juaj në prehje? Oh më lejoni t’ju paralajmëroj ngrohtësisht, sepse është një gjë e trishtueshme kur mund të jetojmë me kënaqësi pa gëzimin e pranishëm të fytyrës së Shpëtimtarit.
Le të punojmë shumë që të ndjejmë se çfarë gjëje e ligë është kjo—dashuri e pakët ndaj Shpëtimtarit tonë shpirtdhënës, gëzim të pakët në Jezusin tonë të çmuar, shoqërim të pakët me Shumëdashurin! Mbani një agjërim të vërtetë në shpirtrat tuaj, ndërsa trishtoheni për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj. Mos ndaloni të trishtoheni! Kujtoni se ku e morët për herë të parë shpëtimin. Shkoni menjëherë te kryqi. Atje dhe vetëm atje ju mund të merrni një frymë të ngjallur. Nuk ka rëndësi se sa të ngurtë, se sa të pandjeshëm, se sa të vdekur mund të jemi bërë, le të shkojmë përsëri me gjithë rreckat, varfërinë dhe fëlliqësinë e gjendjes sonë natyrore. Le ta mbërthejmë atë kryq, le të shikojmë në ato sy të kapitur, le të lahemi në atë burim të mbushur me gjak—kjo do të na kthejë në dashurinë tonë të parë; do të na rimëkëmbë thjeshtësinë e besimit tonë dhe butësinë e zemrës sonë.
31 mars-mëngjes
“Për shkak të vurratave të Tij ne jemi shëruar.”
{#Isaia 53 :5}
Pilati ia dorëzoi Zotin tonë liktorëve për t’u rrahur me kamxhik. Kamxhiku romak ishte një instrument torture shumë i tmerrshëm. Ishte i bërë prej gilcës së buallit dhe kocka të mprehta ishin të ndërfutura midis gilcave; kështu që sa herë që kamxhiku godiste, këto copa kockash shkaktonin çjerrje të frikshme dhe shqyenin mishin prej kockës. Pa dyshim që Shpëtimtari ishte i lidhur në shtyllë dhe aty u rrah me kamxhik. Ai qe rrahur me kamxhik edhe më përpara, por kjo e liktorëve romakë ishte ndoshta fshikullim më i rreptë. Shpirti im, qëndro këtu dhe nxirr lot mbi këtë trup të gjorë të goditur.
Besimtarë në Jezus, a mund ta shikoni Atë pa derdhur lot, ndërsa Ai nxjerr përpara jush pasqyrën e dashurisë në agoni? Ai është i tëri i hijshëm si zambaku me dëlirësinë e Tij dhe i kuq si trëndafili me kërmëzin e vetë gjakut të Tij. Teksa ndjejmë shërimin e bekuar dhe të sigurtë që vurratat e Tij kanë kryer në ne, a nuk shkrihet zemra jonë menjëherë me dashuri dhe dhembje? Nëse e kemi dashur me të vërtetë Zotin tonë Jezus, me siguri që duhet të ndjejmë atë zemërdashuri duke u ndezur tani përbrenda kraharorëve tanë.
Shihni si Jezusi i duruar qëndron
I fyer si kurrë më parë!
Mëkatarët kanë lidhur duart e të Plotfuqishmit,
Dhe kanë pështyrë mbi fytyrën e Krijuesit të tyre.
Me gjemba tëmthi i prerë e i çarë
Lëshon rryma gjaku nga çdo anë;
Kurrizi me kamxhikë me kokla i fshikulluar.
Por kamxhikë më të mprehtë akoma i çajnë zemrën.
Sa do të donim të shkonim në dhomat tona dhe të qajmë, por përderisa puna jonë na thërret, do t’i lutemi së pari të Shumëdashurit tonë për të shtypur imazhin e Tij gjakderdhës mbi rrasat e zemrave tona këtë ditë dhe në muzg do të kthehemi të kemi shoqërim me Të dhe të pikëllohemi se mëkati ynë i kushtoi kaq shtrenjtë.
31 mars-mbrëmje
“Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qëndruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin.”
{#2 Samueli 21:10}
Nëse dashuria e një gruaje ndaj bijve të saj të therur e bëri të zgjaste përbujtjen e saj të përzishme për një periudhë aq të gjatë, a do të lodhemi ne duke marrë në konsideratë vuajtjet e Zotit tonë të bekuar? Ajo largoi tutje shpendët e qiellit dhe a nuk do të largojmë ne prej përsiatjeve tona ato mendime mëkatare të botës që na fëlliqin si mendjet tona ashtu dhe subjektet e shenjta që përsiatim? Tutje, ju zogj të ligj! Lëreni të qetë flijimin! Ajo duroi nxehtësinë e verës, vesat e netëve dhe shirat, e pastrehë dhe vetëm. Gjumi u përzu prej syve të saj me lot; zemra e saj ishte tepër plot për dremitje. Shiko se sa i deshi bijtë e vet! A duron Ritspah kështu dhe a do ia mbathnim ne me të parën sprovë ose shqetësim? A jemi burracakë të tillë sa të mos mundim dot të vuajmë me Zotin tonë? Ajo përzuri tutje madje edhe kafshët e egra, me kurajë të pazakontë për një grua dhe a nuk do të jemi ne gati t’i dalim përpara çdo armiku për hir të Jezusit?
Këta bij të saj ishin therur prej duarsh të huajsh dhe prapëseprapë ajo qau dhe bëri roje; çfarë duhet ne vallë që të bëjmë, ne që kemi kryqëzuar me anë të mëkateve tona Zotin tonë? Detyrimet tona janë të pakufishme, dashuria jonë duhet të jetë e zjarrtë dhe pendimi ynë i plotë. Të jemi vigjilentë me Jezusin duhet të jetë puna jonë, të mbrojmë nderin e Tij kohëzënia jonë, të qëndrojmë pranë kryqit të Tij ngushëllimi ynë. Ato kufoma të lemerishme mund të kenë frikësuar Ritspan, sidomos gjatë natës, por te Zoti ynë, ndërsa qëndrojmë nën këmbën e kryqit, nuk ka asgjë të neveritshme, por çdo gjë është tërheqëse. Kurrë nuk ka pasur një bukuri të gjallë aq magjepsëse sa një Shpëtimtar shpirtdhënës. Jezus, ne do të vigjilojmë me Ty akoma dhe na zbulo Vetën Tënde hirshëm; atëherë nuk do të ulemi poshtë të veshur me thes, por do të banojmë në një pallat mbretëror.