1 prill-mëngjes
“Më puth me të puthurat e gojës së vet.”
{#Kantiku i kantikëve 1:2}
Për disa ditë kemi qëndruar mbi pasionin e Shpëtimtarit dhe për ca kohë akoma do të zgjatemi aty. Në fillimin e muajit të ri, le të kërkojmë të njëjtat dëshira mbas Zotit tonë ashtu si ato që lindën në zemrën e nuses së zgjedhur. Shiko se si ajo kërcen menjëherë te Ai; nuk ka fjalë hyrëse; ajo as që nuk e përmend emrin e Tij; ajo prek menjëherë thelbin, sepse flet për Atë si i vetmi Ai në botë. Sa e guximshme që është dashuria e saj! ishte dashamirësia e madhe që e lejoi të penduarën në lot të vajosë këmbët e Tij me vaj erëmirë—ishte dashuria e pasur që lejoi Marinë e butë të ulej nën këmbët e Tij dhe të mësonte prej Tij—por këtu, dashuria, dashuri e zjarrtë, e fortë synon dëshmi më të larta vëmendjeje dhe shenja më të afërta shoqërimi.
Esteri u drodh në praninë e Asuerusit, por nusja në lirinë e gëzueshme të një dashurie të përkryer nuk njeh frikë. Nëse kemi marrë të njëjtën frymë të lirë, edhe ne mund të kërkojmë për të njëjtën gjë. Ne mendojmë se me puthjet janë të nënkuptuara ato shfaqje të ndryshme të dashamirësisë me anë të cilave besimtari bëhet të gëzojë dashurinë e Jezusit. Ne gëzuam puthjen e pajtimit në çastin e kthimit tonë në besim dhe ishte e ëmbël si mjaltë që rrjedh prej huallit. Puthja e pranimit është akoma e ngrohtë në ballin tonë, ndërsa dimë se Ai na ka pranuar ne vetë dhe veprat tona përmes hirit të pasur. Puthja e shoqërimit të tanishëm, të përditshëm, është ajo që ne e dëshirojmë me zjarr për t’u përsëritur ditë mbas dite, derisa të ndryshohet në puthjen e miratimit, që e ngre shpirtin lart nga toka dhe puthjen e përkryerjes që e mbush atë me gëzimin e qiellit. Besimi është ecja jonë, por bashkësia e ndjerë me zemër është prehja jonë. Besimi është rruga, por shoqërimi me Jezusin është burimi ku pi shtegtari. O dashuruesi i shpirtrave tanë, mos na ji i huaj; buzët e bekimit Tënd çikshin buzët e lutjes sonë; buzët e plotësisë Tënde prekshin buzët e nevojës sonë dhe sakaq puthja do të marrë jetë.
1 prill-mbrëmje
“Është koha për të kërkuar Zotin.”
{#Osea 10:12}
Thuhet se emri i muajit prill e ka prejardhjen prej foljes latine aperio, që do të thotë të hapësh, sepse të gjithë sythat dhe lulet po çelin tani dhe kemi mbërritur në portat e vitit të lulëzuar. Lexues, nëse je i pashpëtuar, zemra jote, në përputhje me zgjimin universal të natyrës, le të hapet për të marrë Zotin. Çdo lule në lulëzim e sipër të paralajmëron se është koha të kërkosh Zotin; mos ji në stonim me natyrën, por lëre zemrën tënde të lëshoje sytha dhe të lulëzojë me dëshira të shenjta. A po më thua se gjaku i ngrohtë i rinisë ngjitet në venat e tua? atëherë, të përgjërohem, jepi fuqinë tënde Zotit.
Ishte lumturi e pashprehshme për mua të thirresha në moshë të re dhe me gjithë zemër lavdëroja Zotin çdo ditë për këtë. Shpëtimi është i çmuar, le të vijë në kohën e vet, por oh! një shpëtim në moshë të re ka një vlerë të dyfishtë. Të rinj dhe të reja, përderisa mund të vdisni përpara se të arrini pjekurinë, “është koha për të kërkuar Zotin.” A po shoh vallë pak ngjyrë gri të përzier me gërshetat tuaja një herë e një kohë të harlisura? Vitet po përvidhen me hapa të shpejtë dhe vdekja po afrohet më pranë me hapa të nxituar; çdo pranverë ju zgjoftë për të vënë shtëpinë tuaj në rregull. Lexues i shtrenjtë, nëse tani je i thyer në moshë, më lejo të të lutem dhe të të përgjërohem të mos vonohesh më gjatë. Ka një ditë hiri për ty tani—ji falënderues për të, por është një periudhë e kufizuar dhe shkurtohet akoma më shumë sa herë që ora bën tik tak. Këtu në këtë dhomë të heshtur, në këtë mbrëmje të parë të një tjetër muaji, po të flas ashtu siç mundem më mirë me letër dhe bojë dhe prej thellësisë së shpirtit tim, si shërbëtor i Perëndisë, vendos para teje këtë paralajmërim, “është koha për të kërkuar Zotin.” Mos e lër pas dore këtë gjë, mund të jetë thirrja jote e fundit para shkatërrimit, rrokja përfundimtare e dalë nga buzët e hirit.
2 prill-mëngjes
“Ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë.”
{#Mateu 27:14}
Ai kurrë nuk e pati fjalën të ngadaltë kur donte të bekonte bijtë e njerëzve, por nuk do që të thotë as dhe një fjalë të vetme për Veten. “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.” Dhe asnjeri nuk ka qenë i heshtur kurrë në këtë mënyrë. A ishte kjo heshtje e pashoqe treguesi i vetë flijimit të Tij të përkryer? A tregonte se nuk do të shqiptonte as dhe një fjalë në mënyrë që të mos vononte vrasjen e personit të Tij të shenjtë, që Ai e pati përkushtuar si një flijim për ne? A e pati dorëzuar ashtu tërësisht Veten e Tij sa nuk do të ndërhynte për vetë Veten e Tij, madje qoftë dhe sadopak, por u lidh dhe u vra si viktimë që nuk ankohet e që nuk reziston? A ishte kjo heshtje një figurë e pambrojtshmërisë së mëkatit? Asgjë nuk mund të thuhet për faljen ose zbutjen e fajit njerëzor dhe prandaj Ai që mbajti të gjithë peshën e tij qëndroi pa fjalë përpara gjykatësit të tij. A nuk është heshtja e duruar përgjigja më e mirë ndaj një botë përgojuese? Qëndrueshmëria e qetë i përgjigjet ca pyetjeve pafundësisht më me rezultat se gojëtaria më e ngritur.
Apologjetët më të mirë për krishtërimin në ditët e hershme, ishin martirët e tij. Kudhra thyen një mori çekiçësh duke përballuar me qetësi goditjet e tyre. A nuk na jep Qengji i Perëndisë një shembull të madh urtësie? Atje ku çdo fjalë ishte një rast për një blasfemi të re, vija e veprimit e detyrës ishte të mos siguronte lëndë djegëse për flakën e mëkatit. E errëta dhe e rremja, e pavlershmja dhe e ulëta së shpejti do të përmbysin dhe rrëzojnë poshtë veten e tyre dhe prandaj i vërteti qëndron i qetë dhe urtësia e tij është heshtja. Patjetër që Zoti ynë, me anë të heshtjes së Tij, ilustroi përmbushjen e jashtëzakonshme të profecisë. Një vetëmbrojtje e gjatë do të kishte qenë e kundërt me parashikimin e Esaisë. “I keqtrajtuar dhe i përulur, nuk e hapi gojën. Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën.” Me anë të qetësisë së Tij Ai përfundimisht provoi se ishte Qengji i vërtetë i Perëndisë. Si i Tillë ne e përshëndesim këtë mëngjes. Ji me ne Jezus dhe në heshtjen e zemrave tona, le të dëgjojmë zërin e dashurisë Tënde.
2 prill-mbrëmje
“Ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij.”
{#Isaia 53:10}
Lutuni për përmbushjen e shpejtë të këtij premtimi, të gjithë ju që doni Zotin. Është punë e lehtë të lutesh kur jemi të themeluar dhe të mbështetur, sipas dëshirave tona, mbi vetë premtimet e Perëndisë. Si vallë Ai që dha fjalën do të kundërshtonte ta mbante atë? Vërtetësia e palëkundshme nuk mund ta ulë veten me një gënjeshtër dhe besnikëria e përjetshme nuk mund ta poshtëroje veten me lënie pas dore. Perëndia duhet të bekojë Birin e Tij, besëlidhja e Tij e detyron kështu. Atë që Fryma na nxit të kërkojmë për Jezusin, është ajo që Perëndia dekreton për t’ia dhënë Atij. Kurdo herë që jeni duke u lutur për mbretërinë e Krishtit, le të shikojnë sytë tanë agimin e ditës së bekuar që afron, kur i Kryqëzuari do të marrë kurorëzimin e Tij në vendin ku njerëzit e hodhën poshtë.
Kurajë ju që punoni plot me lutje dhe lodheni me punë për Krishtin me sukses të vocërr; nuk do të jetë gjithmonë kështu; kohëra më të mira janë para jush. Sytë tuaj nuk mund të shohin të ardhmen e bekuar; merrni teleskopin e besimit; fshini avullin e dyshimeve tuaja nga xhami; shikoni përmes tij dhe vështroni lavdinë e ardhshme. Lexues, na lejo që të pyesim, a e bën këtë lutjen tënde të vazhdueshme? Kujto se i njëjti Krisht që na thotë të lutemi, “bukën tonë të përditshme na e jep sot,” na pati dhënë së pari këtë peticion, “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri Yt. Ardhtë mbretëria Jote. U bëftë vullneti Yt në tokë si në qiell.” Mos të jenë të gjitha lutjet tuaja në lidhje me vetë mëkatet tuaja, mungesat tuaja, papërkryerjet tuaja, sprovat tuaja, por le të ngjisin shkallën yjore dhe të arrijnë te vetë Krishti dhe atëherë ndërsa afroheni pranë fronit të mëshirës të spërkatur me gjak, ofroni këtë lutje vazhdimisht, “Zot, përhap mbretërinë e Birit Tënd të shtrenjtë.” Një peticion i tillë, i paraqitur me zell, do të ngrejë lart frymën e të gjitha përkushtimeve tuaja. Kini kujdes që të provoni sinqeritetin e lutjeve tuaja duke punuar fort për të ngritur lart lavdinë e Zotit.
3 prill-mëngjes
“Ata e morën Jezusin.”
{#Gjoni 19:16}
Ai kishte qenë gjatë gjithë natës në agoni, kishte kaluar mëngjesin në oborrin e Kajafës, ishte dërguar me nxitim nga Kajafa te Pilati, nga Pilati te Herodi dhe nga Herodi mbrapsht përsëri tek Pilati; prandaj, Atij i kishte mbetur pak forcë dhe megjithatë as freskim as prehje nuk ju lejuan. Ata ishin të etur për gjakun e Tij dhe prandaj e nxorën jashtë të vdiste, i ngarkuar me kryqin. O procesion i dhembshëm! Le të vajtojnë bijat e Salemit. Shpirti im, qaj dhe ti gjithashtu. Çfarë mësojmë ne këtu ndërsa shikojmë Zotin tonë të bekuar që e çojnë tutje? A nuk e dallojmë atë të vërtetë që paraqitet si shëmbëlltyrë me anë të cjapit fajshlyes? A nuk sjell kryeprifti cjapin fajshlyes dhe vendos të dyja duart mbi kokën e tij, duke rrëfyer mëkatet e popullit në mënyrë që këto mëkate të mund të vendosen mbi cjapin dhe të mos qëndrojnë mbi popullin? Më pas cjapi dërgohej në shkretëtirë nga dikush i caktuar për këtë gjë dhe merrte me vete mëkatet e popullit, kështu që nëse mëkatet e popullit do të kërkoheshin nuk mund të gjendeshin dot.
Tani ne shikojmë Jezusin të nxjerrë përpara priftërinjve dhe udhëheqësve, që e shpallin fajtor; Perëndia vetë ia ngarkon Atij mëkatet tona, “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve;” “Ai u bë mëkat për ne;” dhe si zëvendësuesi i fajit tonë, duke mbajtur mëkatin tonë mbi shpatullat e Tij, të përfaqësuara me kryqin, ne shikojmë Cjapin e madh fajshlyes që u mor nga krerët e priftërinjve. Të dashur, a ndjeheni të sigurtë se Ai mbajti mëkatin tuaj? Teksa shikoni te kryqi mbi shpatullat e Tij, a përfaqëson ai kryq mëkatin tuaj? Ka një mënyrë se si mund ta dini nëse Ai mbajti mëkatin tuaj apo jo. A keni vendosur dorën tuaj mbi kokën e Tij, duke rrëfyer mëkatin tuaj dhe duke besuar në Të? Atëherë mëkati juaj nuk qëndron mbi ju; është mbartur i tëri me anë të një kalimi të bekuar te Krishti dhe Ai e mban atë mbi shpatullat e Tij si një peshë më e rëndë se kryqi. Mos te zhduket pamja para jush derisa të jeni gëzuar në vetë çlirimin tuaj dhe të keni adhuruar Shpëtimtarin e dashur mbi të Cilin u vunë shkeljet tuaja.
3 prill-mbrëmje
“Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.”
{#Isaia 53 :6}
Këtu ka një rrëfim mëkati, rrëfim i zakonshëm për të gjithë të zgjedhurit e Perëndisë. Ata të gjithë kanë rënë dhe prandaj, në kor të përbashkët, të gjithë thonë, nga i pari që hyri në parajsë deri te i fundit që do të hyjë atje, “ne të gjithë endeshim si dele.” Rrëfimi, ndërsa është kështu i njëzëshëm, është gjithashtu i përveçëm dhe i veçantë: “secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.” Ka një mëkatshmëri individuale për secilin; të gjithë janë mëkatarë, por secili me ndonjë rëndim të veçantë që nuk gjendet te tjetri. Është shenja e pendesës së vërtetë që ndërsa natyrshëm e identifikon veten me pendestarë të tjerë, merr gjithashtu një pozicion individual. “Secili prej nesh ndiqte rrugën e vet,” është një rrëfim se çdo njeri ka mëkatuar kundër dritës në një mënyrë individuale ose me një rëndim që nuk mund ta dallonte te të tjerët. Ky rrëfim është i pakufizuar; nuk ka as dhe një fjalë për të pakësuar forcën e tij, as dhe një rrokje si justifikim. Rrëfimi është një heqje dorë prej të gjitha deklaratave të vetë drejtësisë.
Është deklarata e njerëzve që janë në mënyrë të ndërgjegjshme fajtorë—fajtorë me rrethanë rënduese, fajtorë pa justifikim; qëndrojnë me armët e tyre të revoltës të bëra copë copë dhe klithin, “ne të gjithë endeshim si dele, secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.” Megjithatë ne nuk dëgjojmë vajtime të dhembshme që shoqërojnë këtë rrëfim mëkati, sepse fjalia e mëpasshme e bën atë pothuajse një këngë. “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.” Është fjalia më e dhimbshme në këto vargje, por është e mbushur me ngushëllim. Është e habitshme se atje ku ishte përqendruar mjerimi, mbretëroi mëshira; atje ku pikëllimi arriti kulmin, shpirtrat e lodhur gjetën prehje. Shpëtimtari i shtypur ishte shërimi i zemrave të shtypura. Shiko se si pendesa më e përulur, i lë vend mirëbesimit të sigurtë thjesht duke shikuar te Krishti në kryq!
4 prill-mëngjes
“Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”
{#2 Korintasve 5:21}
I krishterë vajtues! pse qan? A po vajton vallë prej vetë korruptimeve të tua? Shiko te Zoti i përkryer dhe kujto, je i plotë ne Të; je nën sytë e Perëndisë po aq i përkryer sa sikur të mos kishe mëkatuar kurrë; jo, më shumë se kaq, Zoti Drejtësia ynë të ka veshur me një rrobë hyjnore, kështu që ke më shumë se drejtësinë e njeriut—ke drejtësinë e Perëndisë. O ti që po vajton për shkak të mëkatit dhe korruptimit brenda teje, kujto, asnjë prej këtyre mëkateve nuk mund të të dënojë. Ke mësuar të urresh mëkatin, por ke mësuar gjithashtu të njohësh se mëkati nuk është i yti—u vu mbi kokën e Krishtit.
Qëndrimi yt nuk është në veten tënde—është në Krisht; pranimi jot nuk është në veten tënde, por në Zotin tënd; je po aq shumë i pranuar nga Perëndia sot, me gjithë mëkatshmërinë tënde, sa do të jesh i pranuar kur do të qëndrosh përpara fronit, i lirë nga çdo korruptim. Oh, të përgjëroj, mbërtheje këtë mendim të çmuar, i përsosur në Krisht! Sepse je “i plotë në Të.” Me veshjen e Shpëtimtarit tënd, je i shenjtë si i Shenjti. “Kush është ai që do t`i dënojë? Krishti është Ai që vdiq, po për më tepër Ai u ringjall; Ai është në të djathtë të Perëndisë dhe Ai ndërmjetëson për ne.” I krishterë, le të gëzohet zemra jote, sepse je “i pëlqyer në të dashurin Birin e Tij”—pse vallë ke frikë? Fytyra jote le të ketë përherë një buzëqeshje, jeto afër Mjeshtrit tënd; jeto në rrethinat e Qytetit Qiellor, sepse së shpejti, kur koha jote do të vijë, do të ngrihesh lart atje ku Jezusi është i ulur dhe do të mbretërosh në krahun e Tij të djathtë; dhe e gjitha kjo sepse Zoti hyjnor “u bë të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”
4 prill-mbrëmje
“Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit.”
{#Isaia 2 :3}
Është tejet e dobishme për shpirtrat tanë të ngjiten lart kësaj bote të tashme të ligë në diçka më fisnike dhe më të mirë. Shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurive janë të afta të mbysin çdo gjë të mirë brenda nesh dhe ne jemi në ankth, bëhemi zemërlëshuar, ndoshta krenarë dhe mishor. Është mirë për ne t’i heqim këto gjemba dhe shqopa, sepse fara qiellore e mbjellur mes tyre nuk mund të japë korrje; dhe ku mund të gjendet një drapër më i mirë për t’i prerë se sa shoqërimi me Perëndinë në gjërat e mbretërisë? Në luginat e Zvicrës, shumë prej banorëve janë të përçudnuar dhe kanë një çehre të sëmurë, sepse atmosfera është e ngarkuar me erën e qelbur të kënetës dhe është mbytëse dhe e ndenjur, por atje lart, mbi mal, gjen një racë të kalitur, që merr frymë ajrin e freskët e të pastër, ndërsa fryn prej borërave të virgjëra të majave alpine. Do të ishte mirë nëse banorët e fushës të mund të linin shpesh banesat e tyre mes moçaleve dhe resh ethesh dhe të thithnin mbi male ajër të shëndetshëm.
Të ngjitesh është një trimëri e tillë sa ju inkurajoj këtë mbrëmje ta bëni këtë gjë. Fryma e Perëndisë na ndihmoftë për të lënë mjegullat e frikës dhe ethet e ankthit dhe të gjitha të këqijat që mblidhen në këtë fushë të tokës dhe të ngjisim malet e gëzimit dhe bekimit të paraprirë. Perëndia Fryma e Shenjtë preftë litarët që na mbajnë këtu poshtë dhe na ndihmoftë të ngjitemi lart! Shpesh ulemi si shqiponja të lidhura me zinxhirë, të mbërthyera në shkëmb, përveçse, ndryshe nga shqiponjat, fillojmë ta duam zinxhirin tonë dhe ndoshta, nëse do të viheshim në provë, do të urrenim ta kishim zinxhirin të shkëputur. Perëndia na dhëntë hir, nëse nuk mund të shpëtojmë prej zinxhirit të mishit tonë, prapëseprapë le të bëjmë ashtu përsa i përket frymëve tona; dhe duke lënë trupin e shërbëtorit, në këmbë të malit, shpirti ynë, ashtu si Abrahami, le të arrijë majën e malit, për t’u kënaqur atje me shoqërim me Shumëtëlartin.
5 prill-mëngjes
“E ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.”
{#Lluka 23 :26}
Shikojmë në mbajtjen e kryqit prej Simonit një figurë të veprës së Kishës përgjatë gjithë brezave; ajo është kryqmbajtësja pas Jezusit. Vëre pra, i krishterë, Jezusi nuk vuan sa të përjashtojë vuajtjet e tua. Ai mban një kryq, jo që t’i shpëtosh kryqit, por që ta durosh atë. Krishti të përjashton prej mëkatit, por jo prej pikëllimit. Kujtoje këtë dhe prit të vuash. Mirëpo le të ngushëllohemi me këtë mendim, se në rastin tonë, ashtu si në atë të Simonit, nuk është kryqi ynë, por kryqi i Krishtit që ne mbajmë. Kur ju bien në qafë për shkak të perëndishmërisë suaj, kur besimi juaj ju sjell sprovën e përqeshjeve mizore, atëherë kujtoni se nuk është kryqi juaj, është kryqi i Krishtit; dhe sa e këndshme që është të mbajmë kryqin e Zotit tonë Jezus!
Ju mbani kryqin pas Tij. Keni shoqërim të bekuar; shtegu juaj është i shënuar me gjurmët e Zotit tuaj. Shenja e shpatullës së Tij të gjakosur është mbi atë barrë të rëndë. Është kryqi i Tij dhe Ai shkon përpara jush si bariu përpara deleve të tij. Merrni kryqin tuaj përditë dhe ndiqeni. Mos harroni, gjithashtu, se e mbani këtë kryq në bashkësi. Disa mendojnë se Simoni mbajti vetëm një cep të kryqit dhe jo të gjithë. Kjo është shumë e mundur; Krishti mund të ketë mbajtur pjesën me të rëndë dhe Simoni mund të ketë mbajtur cepin më të lehtë. Me siguri që është kështu me ne; ju nuk mbani veçse cepin e lehtë të kryqit, Krishti mbajti cepin më të rëndë. Dhe kujto se edhe pse Simonit iu desh të mbante kryqin për pak kohë, kjo i dha atij nder të përhershëm. Po ashtu ne e mbajmë kryqin së shumti për pak kohë dhe më pas do të marrim kurorën, lavdinë. Me siguri që duhet ta duam kryqin dhe në vend që të zmbrapsemi prej tij, duhet që ta quajmë shumë të shtrenjtë, kur vepron për ne “një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.”
5 prill-mbrëmje
“Përpara lavdisë vjen përulësia.”
{#Fjalët e urta 15 :33}
Përulësia e shpirtit sjell gjithmonë me vete një bekim të vërtetë. Nëse i zbrazim zemrat tona nga vetja, Perëndia do t’i mbushë me dashurinë e Tij. Ai që dëshiron shoqërim të ngushtë me Krishtin duhet të kujtojë fjalët e Zotit, “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.” Përkulu poshtë nëse do të ngjitesh në parajsë. A nuk themi për Jezusin, “Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit?” Po ashtu dhe ju. Duhet të rriteni për poshtë, që të rriteni për lart, sepse bashkësia më e ëmbël me parajsën është për t’u gëzuar prej shpirtrave të përulur dhe vetëm prej tyre. Perëndia nuk do t’i mohojë asnjë bekim një fryme tërësisht të përulur. “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve,” me gjithë pasuritë dhe thesaret e saj.
I gjithë thesari i Perëndisë do t’i lihet si dhuratë trashëgimie shpirtit që është i përulur mjaftueshëm që të mund ta marrë pa u bërë krenar. Perëndia na bekon deri në masën e plotë dhe cakun e asaj që është pa rrezik për t’u kryer prej Tij. Nëse nuk merrni një bekim, është ngaqë është e rrezikshme për ju ta keni. Nëse Ati juaj qiellor do të lejonte që fryma juaj e pa përulur të fitonte një fitore në luftën e Tij të shenjtë, ju do të lavdëronit veten dhe duke ndeshur një armik të ri do të binit si një viktimë; kështu që jeni të ruajtur të ulur poshtë për vetë sigurinë tuaj. Kur një njeri është sinqerisht i përulur dhe kurrë nuk guxon të përvetësojë edhe një grimcë lavdie, zor se ka ndonjë kufi për çfarë Perëndia do të bëjë për të. Përulësia na bën të gati të bekohemi nga Perëndia i çdo hiri dhe na përshtat t’ia dalim efektshmërisht me të afërmin tonë. Përulësia e vërtetë është një lule që do të zbukurojë çdo kopsht. Lutja është erëzat që në çdo rast do t’i shtojnë shijen çdo pjate jete. Qoftë lutje ose lavdërim, qoftë punë ose vuajtje, kripa e vërtetë e përulësisë nuk mund të përdoret me tepricë.
6 prill-mëngjes
“Le të dalim, pra, drejt Tij jashtë fushës (kampit).”
{#Hebrenjve 13 :13}
Jezusi, duke mbajtur kryqin e Tij, doli përpara për të vuajtur jashtë portës. Arsyeja e të krishterit për të lënë kampin e mëkatit dhe fesë së botës nuk është ngaqë ai do që të jetë i veçantë, por sepse kështu bëri Jezusi dhe dishepulli duhet që të ndjekë Mjeshtrin e Tij. Krishti “nuk ishte prej botës”; jeta dhe dëshmia e Tij ishin një protestë e vazhdueshme kundër përputhjes me botën. Kurrë nuk kishte dashamirësi aq të bollshme për njerëzit sa ç’gjendet në Të, por prapëseprapë Ai ishte i ndarë prej mëkatarëve. Në të njëjtën mënyrë populli i Krishtit duhet “të dalë drejt Tij.” Ata duhet të zënë pozicionin e tyre “jashtë kampit,” si dëshmitarë pishtarëmbajtës të së vërtetës. Duhet të jenë të përgatitur për të shkelur rrugën e ngushtë dhe të drejtë. Ata duhet të kenë zemra luani të paepura dhe të guximshme, duke dashur së pari Krishtin dhe më pas të vërtetën e Tij dhe Krishtin dhe të vërtetën e Tij përtej gjithë botës.
Jezusi do që njerëzit e Tij “të dalin jashtë kampit” për vetë shenjtërimin e tyre. Ju nuk mund të rriteni në hir në ndonjë shkallë të madhe ndërsa jeni të përshtatur me botën. Jeta e ndarjes mund të jetë një rrugë pikëllimi, por është një autostradë sigurie; dhe edhe pse jeta e ndarë mund t’ju kushtojë shumë dhembje dhe ta bëjë çdo ditë një betejë, prapëseprapë fundi i fundit është një jetë e lumtur. Asnjë gëzim nuk mund të tejkalojë atë të ushtarit të Krishtit; Jezusi e zbulon veten aq hirshëm dhe jep një freskim kaq të ëmbël sa luftëtari ndjen më shumë qetësi dhe paqe në konfliktet e tij të përditshme se sa të tjerët në orët e tyre të prehjes. Autostrada e shenjtërisë është një autostrade shoqërimi. Është në këtë mënyrë që ne do të shpresojmë të fitojmë kurorën nëse jemi të mundësuar me anë hirit hyjnor të ndjekim Krishtin “jashtë kampit.” Kurora e lavdisë do të ndjekë kryqin e ndarjes. Një turp i çastit do të shpërblehet mirë me anë të një nderi të përjetshëm; ajo dëshmi që japim do të duket asgjë kur do të jemi “përherë me Zotin.”
6 prill-mbrëmje
“Në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.”
{#Psalmi 118 :12}
Zoti ynë Jezus, me anë të vdekjes së Tij, nuk bleu një të drejtë vetëm për një pjesë tonën, por për tërë njeriun. Ai synoi në pasionin e Tij shenjtërimin tonë të tërë, frymë, shpirt dhe trup në mënyrë që në këtë mbretëri të trefishtë Ai vetë të mund të mbretëronte me epërsi pa as dhe një kundërshtar. Është puna e natyrës së rilindur, që Perëndia i ka dhënë të ripërtëriturve, të kërkojë të drejtat e Zotit Jezu Krisht. Shpirti im, nëse je një fëmijë i Perëndisë, duhet që të dalësh fitimtar mbi të gjithë mbetjen e vetes tënde që akoma qëndron e pa bekuar; duhet që t’ia nënshtrosh të gjitha fuqitë dhe pasionet skeptrit të argjendtë të mbretërisë së hirshme të Jezusit dhe nuk duhet të kënaqesh kurrë derisa Ai që është Mbret me anë të shpengimit, të bëhet gjithashtu Mbret me anë të kurorëzimit të hirshëm dhe të mbretërojë në ty mbi gjithçka. Kështu që duke parë se mëkati nuk ka asnjë të drejtë për ndonjë pjesë tonën, zhvillojmë një betejë legjitime dhe të drejtë kur kërkojmë, në emër të Perëndisë, ta nxjerrim jashtë.
O trupi im, je një gjymtyrë e Krishtit; a do të toleroj vallë nënshtrimin tënd ndaj princit të errësirës? O shpirti im, Krishti vuajti për mëkatet e tua dhe të shleu me gjakun e Tij të çmuar; a duhet të lejoj memorien tënde të bëhet një depo ligësie, ose pasionet e tua të jenë urë zjarri shkeljesh? A do të dorëzoj vallë gjykimin tim të shtrembërohet nga gabimi, ose vullnetin tim të bjerë në vargonj paudhësie? Jo shpirti im, ti i përket Krishtit dhe mëkati nuk ka të drejta te ty. Ki kurajë në lidhje me këtë, o i krishterë! mos u dekurajo sikur armiqtë e tu shpirtërorë të mos shkatërroheshin kurrë. Ti je i aftë t’i përmbysësh ata—jo në vetë forcën tënde—më i dobëti do të ishte tepër për ty, por ti mund dhe do t’i mposhtësh ata përmes gjakut të Qengjit. Mos pyet, “si t’i largoj vallë, sepse janë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se unë?” por shko te i forti për fuqi, prit përulësisht Perëndinë dhe Perëndia i fuqishëm i Jakobit me siguri që do të vijë në ndihmë dhe do të këndosh një këngë fitoreje me anë të hirit të Tij.
7 prill-mëngjes
“Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime?”
{#Psalmi 4 :2}
Një shkrimtar i ditur ka bërë një listë zie të nderimeve që të verbrit e Izraelit i bënë Mbretit të tyre të shumëpritur.
1. I organizuan një procesion nderi, ku morën pjesë legjionet romake, priftërinjtë hebrenj, burra dhe gra dhe vetë Ai duke mbajtur kryqin. Ky është triumfi me të cilin bota e vlerëson Atë që vjen të mposhtë armiqtë më të tmerrshëm të njeriut. Talljet janë të vetmet brohoritje për Të dhe përqeshjet mizore të vetmet këngë lavdërimi.
2. Ata e prezantuan me verën e nderit. Në vend të një kupe të artë me verë të mirë, i ofruan gllënjkën e vdekjes të një krimineli, që Ai e kundërshtoi, sepse donte të ruante një shije të paprishur me të cilën të shijonte vdekjen; dhe më pas kur thirri, “kam etje,” i dhanë uthull të përzier me vrer, duke ia hedhur në gojë me një sfungjer mbushur me të. Oh! mosmirënjohje e neveritshme dhe e poshtër për Birin e Mbretit.
3. Ai ishte i rrethuar me një gardë nderi, që treguan vlerësimin për Të duke hedhur short për veshjet e Tij, që kishin kapur si plaçkë. E tillë ishte truproja e të Adhuruarit të qiellit; një katërshe kumarxhinjsh të vrazhdë.
4. Një fron nderi iu sigurua në drurin e mbuluar me gjak; njerëzit rebelë nuk gjetën dot vend më prehës për Zotin e tyre besnik. Kryqi ishte në fakt, shprehja e plotë e ndjenjës së botës ndaj Tij, “atje,” dukeshin se thonin, “ti Bir i Perëndisë, kjo është mënyra se si vetë Perëndia duhet të trajtohet, nëse do ta arrinim dot.”
5. Titulli i nderit ishte “Mbreti i Judenjve,” por që kombi i verbër dukshëm e hodhi poshtë dhe me të vërtetë e quajti “Mbreti i vjedhësve,” duke parapëlqyer Barabën dhe duke vendosur Jezusin në vendin e turpit të madh, mes dy vjedhësve. Në çdo gjë, bijtë e njerëzve e kthyen kështu lavdinë e Tij në turp, por megjithatë kjo lavdi do të gëzojë sytë e shenjtorëve dhe të engjëjve si një botë pa fund.
7 prill-mbrëmje
“Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.”
{#Psalmi 51:14}
Në këtë rrëfim solemn, është e kënaqshme të dallosh se Davidi e emërton qartë mëkatin e tij. Nuk e quan vrasje nga pakujdesia, e nuk flet për të si një pakujdesi prej të cilës një aksident fatkeq i ndodh një njeriu me vlerë, por e quan me emrin e tij të vërtetë, gjakderdhje. Ai nuk e vrau vetë burrin e Bath-shebas, por prapëseprapë ishte planifikuar në zemrën e Davidit që Uriah duhej të vritej dhe përpara Zotit ai ishte vrasësi i tij.
Mëso në rrëfim të jesh i ndershëm para Perëndisë. Mos i jep emra të bukur mëkateve të fëlliqur; quaji si të duash, nuk do të mbajnë erë më të mirë. Ashtu si Perëndia i shikon se ç’janë në të vërtetë, po ashtu përpiqu shumë për të ndjerë se ç’janë në të vërtetë dhe me një zemër të hapur, prano karakterin e tyre të vërtetë. Vëre se Davidi me siguri që ishte i shtypur prej neverisë së mëkatit të tij. Është e lehtë të përdorësh fjalë, por është e vështirë të ndjesh domethënien e tyre. Psalmi i pesëdhjetë e një është fotografia e një fryme të thyer. Le të kërkojmë të njëjtën zemërthyerje, sepse sado të shkëlqyera të jenë fjalët tona, nëse zemra jonë nuk është e ndërgjegjshme se mëkati meriton ferrin, nuk mund të presim të gjejmë falje.
Teksti ynë përmban një LUTJE TË ZELLSHME.—I drejtohet Perëndisë të shpëtimit. Është e drejta e Tij e posaçme të falë; është vetë emri dhe detyra e Tij të shpëtojë ata që kërkojnë fytyrën e Tij. Më mirë akoma, teksti e quan Perëndia i shpëtimit tim. Po, bekuar qoftë emri i Tij, ndërsa jam akoma duke shkuar te Ai me anë të gjakut të Jezusit, mund të gëzohem në Perëndinë e shpëtimit tim.
Psalmisti mbaron me një ZOTIM TË LAVDËRUESHËM; nëse Perëndia e çliron, ai do të këndojë—jo, më shumë akoma, “do të kremtojë.” Kush mund të këndojë në ndonjë mënyrë tjetër në lidhje me këtë mëshirë si kjo! Mirëpo vini re subjektin e kantikut—”Drejtësia Jote.” Ne duhet të këndojmë për veprën e përfunduar të një Shpëtimtari të çmuar dhe Ai që njeh më shumë prej dashurisë falëse do të këndojë më me zë.
8 prill-mëngjes
“Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç`do të bëhet me të thatin?”
{#Lluka 23:31}
Mes interpretimeve të tjera të kësaj pyetje sugjestive, interpretimi si më poshtë është plot me mësime: “nëse zëvendësuesi i pafaj i mëkatarëve, vuan kështu, çfarë do të bëhet kur vetë mëkatari—druri i thatë—do të bjerë në duart e një Perëndie të zemëruar?” Kur Perëndia pa Jezusin në vendin e mëkatarit, nuk e kurseu; dhe kur sheh të pa ripërtëriturin pa Krishtin, nuk do t’i kursejë. O mëkatar, Jezusi u mor tutje prej armiqve të Tij; po ashtu do të tërhiqesh zvarrë prej djajve te vendi i caktuar për ty. Jezusi u braktis nga Perëndia dhe nëse Ai, që u numërua si mëkatar në vend të mëkatarëve, u braktis, aq më shumë ti! “Eli, Eli, lama sabaktani?” çfarë klithme e tmerrshme! Por cila do të jetë thirrma jote kur do të thuash, “Oh Perëndi! O Perëndi! përse më ke braktisur?” dhe përgjigja do të vijë, “sepse hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani.”
Nëse Perëndia nuk kurseu Birin e Tij, aq më pak do të kursejë ty! Çfarë fshikullash teli të nxehtë do të jenë ato tuajat kur ndërgjegjja do t’ju godasë me të gjitha tmerret e saj. Ju mëkatarët më të pasur, më të gëzuar, ju më me shumë vetë drejtësi—cili vallë do të qëndrojë në vendin tuaj kur Perëndia do të thotë, “zgjohu o shpatë, kundra njeriut që me hodhi poshtë; godite, dhe le ta ndjejë përherë dhembjen therëse.” Jezusin e pështynë; mëkatar, çfarë turpi që do të jetë ai i yti! Nuk mund ta përmbledhim në një fjalë të gjithë masën e pikëllimeve që ranë mbi kokën e Jezusit që vdiq për ne, prandaj është e pamundur për ne të të themi se çfarë ujërash, detra dhembjeje do të rrokullisen mbi frymën tënde nëse vdes ashtu siç je tani. Mund të vdesësh kështu, mund të vdesësh tani. Me anë të agonive të Krishtit, plagëve të Tij dhe gjakut të Tij, mos tërhiq mbi vetë zemërimin e ardhshëm! Beso në Birin e Perëndisë dhe nuk do të vdesësh kurrë.
8 prill-mbrëmje
“Nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse Ti je me mua.”
{#Psalmi 23:4}
Shiko, se sa të pavarur ndaj rrethanave të jashtme Fryma e Shenjtë mund ta bëjë të krishterin! Çfarë drite e shkëlqyeshme mund të shkëlqejë brenda nesh kur rreth e përqark gjithçka është e errët! Sa të fortë, sa të lumtur, sa të qetë, sa të paqshëm mund të jemi, kur bota tundet andej këndej dhe shtyllat e tokës nuk janë më! Edhe vetë vdekja, me gjithë ndikimet e saj të tmerrshme nuk ka fuqi të ndërpresë muzikën e zemrës së një të krishteri, por përkundrazi e bën atë muzikë të bëhet më e ëmbël, më e qartë, më qiellore, derisa veprën e mirë të fundit që vdekja mund të bëjë është të lejojë melodinë tokësore të shkrihet me korin qiellor dhe gëzimin e këtushëm me lumninë e përjetshme! Le të kemi mirëbesim pra, në fuqinë e Frymës së bekuar për të na ngushëlluar. Lexues i shtrenjtë, a po pret varfërinë? Mos ki frikë; Fryma hyjnore mund të japë, në nevojën tënde, një bollëk më të madh se sa kanë të pasurit në mbrothësinë e tyre.
Ti nuk e di se çfarë gëzimesh mund të mblidhen për ty në kasollen rreth së cilës hiri do të mbjellë trëndafilat e kënaqësisë. A je i ndërgjegjshëm se fuqitë e tua fizike po bien? A po pret të vuash netë të gjata lëngimesh dhe ditë dhembjesh? Oh mos ji i trishtuar! Ai shtrat mund të bëhet një fron për ty. Pak e di se çdo dhembje që shpon trupin tënd mund të jetë një zjarr rafinues për të konsumuar ndryshkun tënd—një rreze lavdie për të ndriçuar pjesët sekrete të shpirtit tënd. A po të meken sytë? Jezusi do të jetë drita jotë. A nuk po dëgjon nga veshët? Emri i Jezusit do të jetë muzika më e mirë e shpirtit dhe personi i Tij kënaqësia jote e shtrenjtë. Sokrati thoshte, “filozofët mund të jenë të lumtur pa muzikë;” dhe të krishterët mund të jenë më të lumtur se filozofet kur të gjitha shkaqet e jashtme të gëzimit janë zhdukur. Në Ty, Perëndia im, zemra ime do të triumfojë, le të vijë çfarë të jetë e mundur prej të këqijave jashtë! Me anë të fuqisë Tënde, o Frymë e bekuar, zemra ime do të jetë jashtë mase në hare, edhe sikur të gjitha gjërat të më mungonin këtu poshtë.
9 prill-mëngjes
“Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për Të.”
{#Lluka 23 :27}
Mes turmës që ndiqte Shpëtimtarin për në ndëshkimin e Tij me vdekje, gjendeshin disa shpirtra të hirshëm që me ankth të hidhur kërkuan lehtësim me qarje dhe vajtime—muzikë e përshtatshme kjo për të shoqëruar atë marsh zie. Kur shpirti im mendon për Shpëtimtarin duke mbajtur kryqin e Tij në Kalvar, ai bashkohet me gratë e përshpirtshme dhe qan me to, sepse, me të vërtetë, ka shkak të vërtetë për pikëllim—shkak që gjendet më thellë se ç’e mendonin ato gra në vaj. Ato vajtuan pafajësinë e keqtrajtuar, mirësinë e përndjekur, dashurinë e gjakosur, zemërbutësinë gati në të vdekur, por zemra ime ka një shkak më të hidhur e më të thellë për të mbajtur zi. Mëkatet e mia ishin fshikullat që çorën ato supe të bekuar dhe kurorëzuan me gjemba atë ballë të gjakosur; mëkatet e mia klithën “kryqëzoje! kryqëzoje!” dhe vendosen kryqin mbi supet e Tij të hirshme.
Fakti që e çuan drejt vdekjes është pikëllim i mjaftueshëm për gjithë përjetësinë, por fakti që unë jam vrasësi i Tij, është më tepër, shumë më tepër brengë se sa lotët mund të shprehin. Pse ato gra e deshën dhe qanë nuk ishte e vështirë për t’u kuptuar, por ato nuk mund të kenë pasur arsye më të mëdha për dashuri dhe brengë se sa ka zemra ime. E veja e Nainit pa djalin e saj të ringjallur—por vetë unë jam ngritur në risi jete. Vjehrra e Pjetrit u shërua nga ethet—por unë jam shëruar nga murtaja e mëkatit. Shtatë djaj u nxorën jashtë prej Magdalenës—por një legjion i tërë prej meje. Maria dhe Marta ishin të favorizuara me vizita—por Ai banon me mua. Nëna e Tij mbajti trupin e Tij—por Ai është i formuar në mua, shpresa e lavdisë. Duke mos qenë në asgjë mbrapa grave të shenjta përsa i përket asaj që i detyrohem Atij, mos të jem mbrapa tyre në mirënjohje ose pikëllim.
Dashuria dhe dhembja zemrën time ndajnë
Lotët e mi këmbët e Tij do të lajnë
Me paqe të vazhdueshme në zemër qëndroj
Qaj për Të që vdiq të shpëtojë.
9 prill-mbrëmje
“Mirësia Jote më ka bërë të madh.”
{#Psalmi 18 :35}
Fjalët mund të përkthehen, “dashamirësia Jote më ka bërë të madh.” Davidi ia ngarkoi me mirënjohje të gjithë madhërinë e tij jo vetë mirësisë së tij, por mirësisë së Perëndisë. “Providenca Jote,” është një tjetër lexim i mundshëm dhe providenca nuk është asgjë tjetër përveçse mirësia në veprim. Mirësia është sythi që çel lulen e providencës, ose mirësia është fara që jep si fryt providencën. Disa e përkthejnë, “ndihma Jote,” e cila është një tjetër fjalë për providencën, duke qenë se providenca është aleat i ngushtë i shenjtorëve, duke i ndihmuar ata në shërbimin e Zotit të tyre. Ose përsëri, “përulësia Jote më ka bërë të madh.” “Begenisja Jote” ndoshta mund të shërbejë si një lexim gjithëpërfshirës duke kombinuar idetë e përmendura dhe duke përfshirë atë të përuljes. Fakti që Perëndia e përuli veten është shkaku që ne u bëmë të mëdhenj.
Ne jemi kaq të vegjël, sa nëse Perëndia do të shfaqte madhërinë e Tij pa begenisje, do të shtypeshim nën këmbët e Tij, por Perëndia, që duhet të ulet për të parë qiejt dhe të përkulet për të parë se çfarë bëjnë engjëjt, kthen sytë e Tij akoma më poshtë dhe hedh shikimin mbi të përulurit dhe zemërthyerit dhe i bën ata të mëdhenj. Ka akoma lexime të tjera, si përshembull, Septuagjinta, që e përkthen, “disiplina Jote”–ndreqja Jotë atërore—”më ka bërë të madh;” ndërsa parafraza në aramaisht e përkthen, “fjala Jote më ka rritur.” Përsëri idea është e njëjtë. Davidi ia ngarkon gjithë madhërinë e Tij mirësisë begenisëse të Atit të Tij në qiej. Kjo ndjenjë jehoftë në zemrat tona këtë mbrëmje ndërsa hedhim kurorat tona në këmbët e Jezusit dhe thërrasim, “mirësia Jote më ka bërë të madh.” Sa i mrekullueshëm ka qenë përjetimi ynë i mirësisë së Perëndisë! Sa të dashura kanë qenë ndreqjet e Tij! Sa i dashur durimi i Tij! Sa të dashura mësimet e Tij! Sa të dashura ndikimet e Tij! Përsiat mbi këtë temë o besimtar. Le të zgjohet mirënjohja jote, përulësia jote u thelloftë, dashuria jote u ngjalltë përpara se të biesh në gjumë këtë mbrëmje.
10 prill-mëngjes
“Në vendin që quhet “Kafka.””
{#Lluka 23 :33}
Kodra e ngushëllimit është kodra e Kalvarit; shtëpia e ngushëllimit është e ndërtuar me drurin e kryqit; tempulli i bekimit qiellor gjendet mbi shkëmbin e çarë—i çarë prej heshtës që shpoi ijën e Tij. Asnjë skenë në historinë e shenjtë nuk gëzon shpirtin ashtu si tragjedia e Kalvarit.
E habitshme apo jo, më e errëta orë
Që agoi ndonjëherë mbi tokën mëkatare,
Të prekë zemrën me fuqi më zbutëse,
Për ngushëllim, se sa gëzimi i një engjëlli?
Të kthejë syrin e vajtuesit te Kryqi,
Më shpejtë se atje ku yjet e Bethlehemit shkëlqejnë?
Drita lind prej dritëhijes së Golgotës dhe çdo bar i lëndinës lulëzon bukur poshtë hijes së drurit një herë të mallkuar. Në atë vend etjeje, hiri ka gërmuar një burim që gufon përherë me ujëra të pastra si kristali, çdo pikë duke pasur fuqinë të lehtësojë hallet e njerëzimit. Ti që ke pasur periudha konflikti, do të rrëfesh se nuk ishte në kodrën me ullinj që gjete ngushëllim, as mbi kodrën e Sinait, as mbi Tabor, por Gjetsemane, Gabatha dhe Golgota kanë qenë një mjet ngushëllimi për ty. Barërat e hidhura të Gjetsemanesë kanë larguar shpesh hidhërimet e jetës tënde; fshikulla e Gabathës shpesh ka larguar tutje shqetësimet tuaja dhe klithmat e Kalvarit na japin ngushëllim të rrallë dhe të pasur. Kurrë nuk do ta kishim njohur dashurinë e Krishtit në gjithë lartësinë dhe thellësinë e saj nëse Ai nuk do të kishte vdekur; po ashtu nuk do ta kuptonim dashurinë e thellë të Atit nëse nuk do të kishte dhënë Birin e Tij të vdiste. Mëshirat e zakonshme që gëzojmë, i këndojnë të gjitha dashurisë, ashtu si guaska e detit, kur e vëmë pranë veshit, pëshpërit nga deti i thellë prej nga dhe erdhi, por nëse dëshirojmë të dëgjojmë vetë detin, nuk duhet të shikojmë te bekimet e përditshme, por te akti i kryqëzimit. Ai që do të njohë dashurinë, le të tërhiqet te Kalvari dhe të shikojë Njeriun e dhembjeve duke vdekur.
10 prill-mbrëmje
“Sepse këtë natë m`u shfaq një engjëll i Perëndisë.”
{#Veprat 27 :23}
Stuhia dhe errësira e gjatë, e bashkuar me rrezikun kërcënues të përmbytjes, e pati pikëlluar ekuipazhin e anijes; vetëm një njeri mes tyre qëndroi tërësisht i qetë dhe me anë të fjalës së tij, të tjerët morën zemër. Pali ishte i vetmi që pati aq kurajë sa të thoshte, “o burra, kini zemër të gëzuar.” Mbi anije kishte legjionarë romakë veteranë dhe marinarë të vjetër dhe trima dhe prapëseprapë i burgosuri i tyre i varfër hebre kishte më shumë kurajë se të gjithë. Ai pati një Mik të fshehtë që ia mbajti kurajën lart. Zoti Jezus dërgoi një korrier qiellor për të pëshpëritur fjalë ngushëllimi në veshin e shërbëtorit të Tij besnik, prandaj ai kishte një çehre të ndritshme dhe foli si një njeri në paqe.
Nëse e druajmë Zotin, mund të kërkojmë ndërhyrje në kohën e duhur kur rrethanat tona janë nga më të këqijat. Engjëjt nuk mbahen prej stuhive dhe nuk pengohen prej errësirës. Serafinët nuk e konsiderojnë turp të vizitojnë më të varfrin e familjes qiellore. Nëse vizitat e engjëllit janë të pakta në kohë të zakonshme, do të jenë të shpeshta në netët tona të stuhisë dhe të shkundjes. Miqtë tanë mund të na lënë kur jemi nën presion, por lidhja jonë me banorët e botës engjëllore do të jetë më e bollshme dhe me forcën e fjalëve të dashurisë të sjella te ne prej fronit me anë të shkallës së Jakobit, do të jemi të fuqishëm për të bërë bëma. Lexues i shtrenjtë, a është kjo kohë një kohë trishtimi për ty? atëherë kërko për ndihmë të posaçme. Jezusi është engjëlli i besëlidhjes dhe nëse prania e Tij kërkohet tani me zell, atëherë nuk do të mohohet. Ai gëzim që kjo prani u sjell në zemër i kujton ata që e kanë provuar, ashtu si Pali, se kanë pasur engjëllin e Perëndisë duke qëndruar pranë tyre në një natë stuhie, kur spirancat nuk do të mbanin më dhe shkëmbinjtë ishin afër.
O engjëlli i Perëndisë tim, ji afër,
Mes errësirës largo tutje frikën time;
I egri det i rrëmbyeshëm ulërin zhurmshëm,
Prania Jote, Zot, do të më ngushëllojë.
11 prill-mëngjes
“Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura.”
{#Psalmi 22 :14}
A panë vallë toka ose qielli ndonjëherë një shfaqje më të trishtueshme vuajtjeje! Në shpirt dhe në trup, Zoti ynë e ndjeu veten aq të dobët sa uji i derdhur mbi tokë. Ngritja e kryqit lart, e shkundi me një forcë të madhe, tendosi të gjitha ligamentet e Tij, lëndoi çdo nerv dhe pak a shumë ndrydhi të gjitha kockat e Tij. Nën peshën e trupit të Tij, viktima engjëllore ndjeu tendosjen që rritej çdo çast gjatë atyre gjashtë orëve të gjata. Ndijimi i ligështisë dhe i dobësisë së përgjithshme ishte shtypës, ndërsa në ndërgjegjen e Tij i dukej vetja asgjë, përveçse një masë mjerimi dhe dhembje. Kur Danieli pa vizionin e madh, i përshkroi kështu ndijimet e tij, “nuk më mbeti kurrfarë force; çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan:” sa shumë më i zalisur duhet të ketë qenë Profeti ynë i madh kur pa vizionin e tmerrshëm të zemërimit të Perëndisë dhe e ndjeu në vetë shpirtin e Tij! Për ne, ndijime të tilla si ato që Zoti ynë duroi do të kishin qenë të padurueshme dhe humbja e ndjenjave do të na kishte ardhur në ndihmë, por në rastin e Tij, Ai u plagos dhe ndjeu shpatën; piu kupën deri në pikë e fundit.
O Mbret i Dhembjes (titull i habitshëm, prapëseprapë e vërtetë se prej gjithë
mbretërve vetëm Ty të shkon për shtat)
O Mbret i Plagëve! Si do të vajtoj për Ty,
Që më ruajte nga çdo vuajtje!
Teksa gjunjëzohemi tani përpara fronit të Shpëtimtarit tashmë të ngritur lart, le të kujtojmë mirë rrugën me anë të cilës e përgatiti atë për ne si froni i hirit; le të pimë në frymë prej kupës së Tij që të forcohemi për orën tonë të vështirësisë kurdo që të vijë. Në trupin e Tij natyror çdo gjymtyrë vuajti dhe po kështu duhet të jetë në shpirtëroren, por ashtu si prej të gjitha vuajtjeve dhe dhembjeve të Tij trupi i Tij doli i padëmtuar në lavdi dhe fuqi, po ashtu trupi i Tij mistik do të dalë prej furrnaltës pa edhe dëmin më të vogël.
11 prill-mbrëmje
“Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.”
{#Psalmi 25:18}
Është mirë për ne kur lutjet mbi pikëllimet tona janë të lidhura me përgjërimet në lidhje me mëkatet tona, atëherë kur jemi nën dorën e Perëndisë dhe nuk mendojmë veç për dhembjen tonë, por kujtojmë shkeljet tona kundra Perëndisë. Po ashtu është mirë ta çojmë pikëllimin dhe mëkatin në të njëjtin vend. Davidi ia çoi Perëndisë pikëllimin e tij; Davidi ia rrëfeu mëkatin e tij Perëndisë. Pra vini re, ne duhet t’i çojmë pikëllimet tona te Perëndia. Edhe pikëllimet e vogla ju mund t’ia çoni Perëndisë, sepse Ai numëron flokët e kokës tuaj; dhe pikëllimet e mëdha mund t’ia besoni Atij, sepse Ai mban oqeanin në pëllëmbën e dorës së Tij. Shko te Ai, cilido qoftë telashi jot i tanishëm dhe do ta njohësh si të aftë dhe të vullnetshëm për të të lehtësuar. Por ne duhet të shpiem gjithashtu te Perëndia mëkatet tona. Duhet t’i çojmë te kryqi, që gjaku të mund të bjerë mbi to, për të fshirë fajin e tyre dhe për të shkatërruar fuqinë e tyre ndotëse.
Mësimi i veçantë i këtij teksti është ky:–se ne duhet që shkojmë te Zoti me pikëllimet dhe me mëkatet në një frymë të drejtë. Vëre se gjithçka që Davidi kërkon në lidhje me pikëllimin e Tij është, “shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim;” por peticioni i mëpasshëm është shumë më i drejtpërdrejtë, i përcaktuar, i vendosur, i qartë—”fali të gjitha mëkatet e mia.” Shumë nga ata që vuajnë do të thonin, “hiq pikëllimin dhe ankthin tim dhe shiko mëkatet e mia.” Por Davidi nuk thotë kështu; ai thërret, “Zot, përsa i përket pikëllimit dhe ankthit tim nuk do t’i jap urdhra urtësisë tënde. Zot, shiko te ato, do të t’i lë Ty, do të isha i gëzuar sikur të mos kisha më ankth, por bëj siç do, por përsa i përket mëkateve të mia, Zot, e di se çfarë dua në lidhje me to; duhet që t’i kem të falura; nuk mund të duroj të qëndroj nën mallkimin Tënd edhe për një çast.” Për një të krishterë, pikëllimi peshon më pak se mëkati; ai mund të durojë që telashet e tij të vazhdojnë, por ai nuk mund të durojë barrën e shkeljeve të tij.
12 prill-mëngjes
“Zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.”
{#Psalmi 22 :14}
Zoti ynë i bekuar përjetoi një brishtësi dhe tretje në shpirt. “Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrejë një frymë të demoralizuar?” Depresioni i thellë i frymës është më e dhembshmja nga të gjitha sprovat; çdo gjë tjetër është hiç gjë. Prandaj dhe Shpëtimtari në mesin e vuajtjeve, i bën thirrje Perëndisë të Tij, “mos u largo nga unë”, sepse mbi çdo periudhë tjetër një njeri ka nevojë për Zotin e tij kur zemra i shkrihet përbrenda për shkak të barrës që përjeton. Besimtar, eja afër kryqit këtë mëngjes dhe me përulësi adhuro Mbretin e lavdisë që u soll një herë shumë më ulët, në vuajtje mendore dhe ankth të brendshëm, se secili mes nesh; dhe vëre se Ai është i përshtatshëm për t’u bërë një Kryeprift besnik, që mund të preket nga dobësitë tona. Veçanërisht ata që përjetojnë një trishtim që lind drejtpërsëdrejti prej tërheqjes së një ndijimi të tanishëm të dashurisë së Atit, le të hyjnë në shoqërim të afërt dhe të ngushtë me Jezusin.
Mos të dëshpërohemi përderisa përmes kësaj dhome të errët Mjeshtri ka kaluar përpara nesh. Shpirtrat tanë mund ndonjëherë të duan me zjarr dhe të meken dhe të kenë etje deri në ankth, për të parë dritën e pamjes së Zotit; në kohë të tilla, le të qetësohemi me faktin e ëmbël të keqardhjes së Kryepriftit tonë të madh ndaj nesh. Pikat tona të pikëllimit do të harrohen në detin e Tij të dhembjes, por sa lart duhet të ngrehet dashuria jonë! Eja, o dashuri e thellë dhe e fortë e Jezusit, si deti në kohë batice, mbulo të gjitha fuqitë e mia, mbyt të gjithë mëkatet e mia, laj të gjitha shqetësimet e mia, ngre lart shpirtin tim botëlidhur, dhe bëje të lundrojë drejt e te këmbët e Zotit tim dhe atje më lër të qëndroj, një guaskë e gjorë e thyer, e larë prej dashurisë së Tij, duke mos pasur as virtyt as vlerë dhe vetëm duke guxuar t’i pëshpërit se nëse do të afronte veshin te mua, do të dëgjonte brenda zemrës sime jehona të dobëta të dallgëve të gjera të vetë dashurisë së Tij që më sollën atje ku kam ëndje të qëndroj, te këmbët e Tij përherë.
12 prill-mbrëmje
“Kopshti i mbretit.”
{#Nehemia 3 :15}
Përmendja e kopshtit të mbretit nga Nehemia sjell në mendje parajsën që Mbreti i mbretërve përgatiti për Adamin. Mëkati ka rrënuar tërësisht banesën e hirshme të të gjitha ëndjeve dhe ka shporrur tutje bijtë e njerëzve të punojnë tokën që prodhon gjemba dhe shqopa. Shpirti im, kujto rënien, sepse ishte rënia jote. Qaj shumë për shkak se Zoti i dashurisë u trajtua kaq turpshëm prej kokës së racës njerëzore, ku je pjesëtar, po aq pa merita sa çdokush tjetër. Shiko se si dragonj dhe djaj banojnë mbi këtë tokë të bukur që më përpara ishte një kopsht ëndjesh.
Shiko atje një tjetër kopsht të Mbretit, që Mbreti e ujit me djersën e tij të përgjakur—Gjetsemanea, barërat e hidhura të se cilës janë shumë më të ëmbla për shpirtrat e ripërtëritur se sa madje dhe frutat e lëngshëm të Edenit. Atje u çbë dëmi që gjarpri kreu në kopshtin e parë, atje mallkimi u hoq prej tokës dhe u mbajt prej farës së premtuar të gruas. Shpirti im, mendo shumë mbi agoninë dhe pasionin; drejtohu në këtë vend, në Gjetsemane dhe shiko Shpëtimtarin tënd duke të të shpëtuar prej gjendjes tënde të humbur. Ky është kopshti i kopshteve me të vërtetë, ku shpirti mund të shohë fajin e mëkatit dhe fuqinë e dashurisë, dy shikime që tejkalojnë gjithë të tjerët.
A nuk ka ndonjë kopsht tjetër të Mbretit? Po, zemra ime, je ti, ose ti duhet të jesh e tillë. Si po lulëzojnë lulet? A po shfaqet ndonjë fryt i përzgjedhur? A ecën Mbreti aty përbrenda dhe prehet në tendën e frymës sime? Le të përkujdesem që bimët të jenë të krasitura dhe të ujitura dhe dhelprat keqbërëse të nxjerra jashtë. Eja, Zot, dhe era qiellore të fryjë me ardhjen Tënde, kështu që aromat e kopshtit tënd të përhapen. Po ashtu nuk duhet të harroj kopshtin tjetër të Mbretit, kishën. O Zot, dërgo mbrothësi atje. Rindërto muret e saj, ushqe bimët e saj, piq frutat e saj dhe bëje shkretëtirën djerrë të lulëzojë dhe ktheje në një “kopsht i Mbretit.”
13 prill-mëngjes
“Kënaqësia ime është një qeskë mirre.”
{#Kantiku i kantikëve 1:13}
Mirra mund të zgjidhet me vend si figura e Jezusit përsa i përket vlerës, parfumit, ëmbëlsisë, cilësive shëruese, ruajtëse dhe dezinfektuese dhe lidhjes së saj me flijimin. Por pse Ai është i krahasuar me një “qeske mirre?” Së pari, për bollëkun e Tij. Ai nuk është një pikë mirre, është një qeskë plot. Nuk është një gem ose një lule mirre, por një qeskë e tërë. Ka mjaftueshëm në Krisht për të gjitha nevojat e mia; le të mos jem i ngadaltë për të marrë nga Ai. Përsëri, i Shumëdashuri ynë është i krahasuar me “një qeskë”, për larminë e Tij, sepse në Krisht nuk gjendet veç një gjë e nevojshme, por “tek Ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë,” çdo gjë e nevojshme është në Të. Këqyre Jezusin në karakteret e Tij të ndryshme dhe do të shikosh një shumëllojshmëri të mrekullueshme—Profet, Prift, Mbret, Dhëndër, Mik, Bari.
Konsideroje në jetën, vdekjen, ringjalljen, ngritjen lart, ardhjen e dytë të Tij; shikoje në virtytin, butësinë, kurajën, vetë-mohimin, dashurinë, besnikërinë, vërtetësinë, drejtësinë e Tij—kudo Ai është një përmbledhje çmueshmërie. Ai është një “qeskë mirre” për t’u ruajtur—jo mirrë e hollë për ta derdhur mbi dysheme ose të shkelet, por mirrë e qëndrueshme, mirrë për t’u ruajtur në një qeskë. Ne duhet ta vlerësojmë Atë si thesarin tonë më të mirë; duhet t’i çmojmë fjalët dhe urdhërimet e Tij; dhe duhet t’i mbajmë mendimet tona dhe njohurinë për Të si nën kyç, që djalli të mos mund të vjedhë ndonjë gjë prej nesh. Për më tepër, Jezusi është një “qeskë mirre” për veçantinë e Tij. Emblema sugjeron idenë e hirit veçues, dallues. Që para themelimit të botës, Ai ishte vënë mënjanë për popullin e Tij; dhe Ai i përhap parfumin e Tij vetëm atyre që e kuptojnë se si të hyjnë në shoqërim me Të, se si të kenë lidhje të ngushta me Të. Oh! popull i bekuar që Zoti ka pranuar në sekretet e Tij dhe për të cilin veçon Veten. Oh! lum ata që mund të thonë, “kënaqësia ime është një qeskë mirre.”
13 prill-mbrëmje
“Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e olokaustit, që do të pranohet në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij.”
{#Levitiku 1 :4}
Fakti që Zoti ynë u bë “mëkat për ne” është e nxjerrë në pah këtu prej kalimit shumë domethënës të mëkatit te demi i vogël, që bëhej prej pleqve të popullit. Vendosja e dorës nuk ishte thjesht një çikje, sepse në vende të tjera të Shkrimet fjala origjinale ka kuptimin e mbështetjes fort, ashtu si në shprehjen, “mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt.” {#Psalmi 88 :7} Me siguri që ky është thelbi dhe natyra e vërtetë e besimit, që nuk na sjell vetëm në kontakt me Zëvendësuesin e madh, por na mëson të mbështetemi mbi Të me gjithë peshën e fajit tonë. Jehovai bëri që të bien mbi kokën e Zëvendësuesit të gjitha shkeljet e popullit të Tij të besëlidhjes, por secili prej të zgjedhurve afrohet që personalisht të ratifikojë këtë akt besëlidhës solemn, kur prej hirit është i mundësuar me anë të besimit të vendosë dorën e tij mbi kokën e “Qengjit të therur përpara themelimit të botës.”
Besimtar, a e mban mend atë ditë rrëmbyese kur kuptove për herë të parë faljen përmes Jezusit, mëkat mbajtësit? A nuk mund të bësh dot rrëfim të gëzueshëm dhe të bashkohesh me shkrimtarin e këtij devocioni duke thënë, “shpirti im kujton me kënaqësi ditën e tij të çlirimit. I ngarkuar me faj dhe plot me frikë, pashë Shpëtimtarin tim si Zëvendësuesin tim dhe vura dorën mbi Të; Oh! sa me ndrojtje në fillim, por guximi u rrit dhe mirëbesimi u konfirmua derisa e mbështeta shpirtin tim tërësisht mbi Të; dhe tani është gëzimi im i pasosur të di se mëkatet e mia nuk më numërohen më, por janë vendosur mbi Të dhe ashtu si harxhet e udhëtarit të plagosur nga kusarët, Jezusi, ashtu si Samaritani i mirë, ka thënë për të gjithë mëkatshmërinë time të ardhshme, “ç`të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem.” Zbulim i bekuar! Ngushëllim i përjetshëm i një zemre mirënjohëse!
Mëkatet e mia të shumta të kaluara te Ai,
Nuk do të gjenden më,
Të humbura në burimin e gjakut shlyes,
Ku çdo krim mbytet.
14 prill-mëngjes
“Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën.”
{#Psalmi 22:7}
Tallja ishte një përbërës i madh në brengën e Zotit tonë. Juda e talli në kopsht; kryepriftërinjtë dhe skribët e përqeshën; Herodi nuk ia vuri veshin; shërbëtorët dhe ushtarët e tallën dhe e fyen në mënyrë brutale; Pilati dhe rojat e tij përqeshën mbretërinë e Tij; dhe në kryq çdo lloj talljesh të tmerrshme dhe përbuzjesh të shëmtuara iu hodhën përsipër. Përqeshja është gjithmonë e rëndë për t’u duruar, por kur jemi në dhembje të fortë është kaq e pamëshirshme, kaq mizore, sa na lëndon atje ku na dhemb. Përfytyro Shpëtimtarin të kryqëzuar, i munduar me ankth përtej çdo hamendjeje njerëzore, dhe më pas merr me mend turmën, të gjithë duke tundur me kërcënim kokat ose duke nxjerrë gjuhën në përçmimin më të hidhur ndaj një viktime të gjorë në vuajtje! Me siguri që duhet të ketë pasur diçka më tepër nga çfarë ata mund të shihnin në të Kryqëzuarin, ose përndryshe një turmë e tillë e madhe nuk do ta kishte nderuar në një zë me një përçmim të tillë.
A nuk ishte një rrëfim i lig i turmës, në vetë çastin e triumfit të saj të dukshëm më të madh, se fundi i fundit nuk mund të bënte më shumë se sa të përqeshte atë mirësi fitimtare që po mbretëronte mbi kryq? O Jezus, “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit,” si mund të vdesësh për njerëzit që të trajtuan kaq me ligësi? Këtu ka dashuri të mrekullueshme, dashuri hyjnore, po, dashuri përtej çdo mase. Ne gjithashtu, të përçmuam në ditët e paripërtëritjes sonë dhe madje që prej rilindjes kemi vënë botën lart në zemrat tona dhe prapëseprapë Ti derdhe gjak për të shëruar plagët tona, dhe jetën për të na dhënë jetë. O sikur të të vendosnim mbi një fron të lartë të lavdishëm në gjitha zemrat e njerëzve! Do të të lavdërojmë mbi tokë dhe det derisa njerëzit të mund të të adhurojnë universalisht ashtu si një herë të hodhën poshtë në një zë.
Krijesat e tua të hyn në hak, O Ti Mirësia sovrane!
Nuk të deshën, sepse i pa kuptuar:
Kjo më lëndon shumë që gjëra të kota gënjejnë
Njerëz mosmirënjohës,të pakujdesshëm për buzëqeshjen Tënde.
14 prill-mbrëmje
“I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë.”
{#Isaia 3 :10}
Të drejtit do t’i dalë GJITHMONË mirë. Nëse do të thuhej, “i thoni të drejtit se do t’i dalë mirë në begati,” atëherë do të falënderonim për një ndihmë kaq të madhe, sepse begatia është një orë rreziku, dhe është një dhuratë prej qiellit të jesh i siguruar prej kurtheve të saj, ose nëse do të ishte shkruar, “do t’i dalë mirë kur ndodhet nën përndjekje,” do të falënderonim për një siguri aq mbështetëse, sepse përndjekja është e vështirë për t’u përballuar, por përderisa asnjë periudhë nuk është e përmendur në veçanti, çdo periudhë është e përfshirë. “Do të-t” e Perëndisë duhet të kuptohen përherë në kuptimin e tyre më të gjerë. Prej fillimit e deri në fund të vitit, prej afrimit të parë të hijeve të mbrëmjes derisa ylli i agimit shkëlqen, në çdo gjendje dhe nën çdo rrethanë, të drejtit do t’i dalë mirë.
Do t’i dalë kaq mirë sa nuk mund ta përfytyrojmë të jetë më mirë, sepse është i ushqyer mirë, ai ushqehet me mishin dhe gjakun e Jezusit; është i veshur mirë, ai mban veshur drejtësinë e numëruar të Krishtit; është i strehuar mirë, ai banon në Perëndinë; është i martuar dhe ka mbarësi, shpirti i tij është i mbledhur në lidhje bashkimi martesor me Krishtin; është i furnizuar mirë, sepse Zoti është Bariu i tij; është me prikë të mirë, sepse parajsa është trashëgimi e tij. Të drejtit do t’i dalë mirë—dhe kjo bazohet në autoritetin hyjnor; është goja e Perëndisë ajo që shpreh këtë siguri ngushëlluese. O i dashur, nëse Perëndia shpall se gjithçka do të jetë mirë, dhjetë mije djaj mund të shpallin se do të dalë keq, e ne me përbuzje nuk ia vëmë veshin. I bekuar qoftë Perëndia për një besim që na mundëson të besojmë Perëndinë kur krijesat bëhen pengesë. Shkrimi thotë, në çdo kohë, do të të dalë mirë o i drejtë; atëherë, i dashur, nëse nuk mund ta shohësh këtë, Fjala e Perëndisë le të qëndrojë në vend të shikimit; po, besoje si me autoritet hyjnor edhe më me mirëbesim se çfarë do të të tregonin sytë dhe ndjenjat e tua. Atë që Perëndia bekon është i bekuar me të vërtetë dhe atë që goja e Tij shpall është e vërtetë më se e sigurtë dhe e palëkundshme.
15 prill-mëngjes
“Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”
{#Psalmi 22:1}
Këtu shikojmë Shpëtimtarin në thellësinë e pikëllimit të Tij. Asnjë vend tjetër nuk tregon aq mirë dhembjet e Krishtit sa Kalvari dhe asnjë çast tjetër në Kalvar nuk është aq plot me agoni sa ai çast kur klithma e Tij çan ajrin—”Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?” Në këtë çast dobësia fizike ishte e bashkuar me torturë të mprehtë mendore prej turpit dhe poshtërimit ku iu desh të kalonte; dhe brenga e Tij arriti në kulm, ndërsa vuajti agoni shpirtërore që tejkalon çdo shprehi, agoni prej largimit të pranisë së Atit. Kjo ishte mesnata e zezë e tmerrit të Tij; në atë çast Ai zbriti në honin e vuajtjes. Asnjë njeri nuk mund të hyjë në domethënien e plotë të këtyre fjalëve. Disa nga ne mendojnë se ndonjë herë mund të thërrasim, “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?” Ka periudha kur buzëqeshja më e shndritshme e Atit tonë është e eklipsuar prej resh dhe errësirës, por le të kujtojmë se Perëndia kurrë nuk na braktis me të vërtetë. Është vetëm një braktisje në dukje për ne, por në rastin e Krishtit ishte braktisje e vërtetë.
Ne pikëllohemi prej një zmbrapsje të vogël të dashurisë së Atit tonë, por largimi i vërtetë i fytyrës së Perëndisë prej Birit të Tij, kush vallë do ta llogarisë se sa e thellë ishte agonia që i shkaktoi Atij? Në rastin tonë, klithma jonë është shpesh e diktuar prej mosbesimit; në rastin e Tij, ishte shqiptimi i një fakti të kobshëm, sepse Perëndia qe larguar me të vërtetë prej Tij për një kohë. O ti shpirt i gjorë, i trishtuar, që një herë jetoje nën rrëzëllimin e fytyrës së Perëndisë, por je tani në errësirë, kujto se në të vërtetë Ai nuk të ka braktisur. Perëndia në re është po aq shumë Perëndia ynë sa kur shkëlqen në të gjithë ndriçimin e hirit të Tij, por përderisa edhe mendimi se Ai na ka braktisur na jep agoni, sa duhet të ketë qenë brenga e Shpëtimtarit kur klithi, “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”
15 prill-mbrëmje
“Përkrahi (lartësoji) përjetë.”
{#Psalmi 28:9}
Njerëzit e Perëndisë kanë nevojë për lartësim. Prej natyre ata janë të rëndë. Nuk kanë krahë, ose nëse kanë, janë si pëllumbat e vjetër që qëndrojnë mes vazove me lule; dhe kanë nevojë për hir hyjnor për t’i bërë të ngjiten me krahë të mbuluar me argjend dhe me pupla prej ari. Prej natyre shkëndijat fluturojnë lart, por shpirtrat mëkatarë të njerëzve bien për poshtë. O Zot, “lartësoji përjetë!” Davidi vetë tha, “te Ti, O Zot, e lartoj shpirtin tim,” dhe këtu ai ndjen nevojën se shpirtrat e njerëzve të tjerë duhet të lartësohen po ashtu si edhe shpirti i tij. Kur kërkon këtë bekim për veten, mos harro ta kërkosh për të tjerët gjithashtu. Ka tre gjëra ku njerëzit e Perëndisë kërkojnë të lartësohen.
Ata kërkojnë të lartësohen në karakter. Lartoji o Zot, mos lejo njerëzit e Tu të jenë si njerëzit e botës! Bota qëndron në të ligun; lartësoji jashtë prej tij! Njerëzit e botës kërkojnë ar dhe argjend, duke ndjekur vetë kënaqësitë e tyre dhe plotësimin e epsheve të tyre, por Zot, larto njerëzit e Tu mbi të gjitha këto; ruaji prej atyre që kërkojnë lerën ashtu si Gjon Buniani quan njeriun që kërkon ar! Larto zemrat e tyre në Zotin e tyre të ngjallur dhe në trashëgiminë qiellore!
Po ashtu, besimtarët kanë nevojë të ngadhënjejnë në konflikt. Në betejë, nëse duket se bien, O Zot, ki kënaqësinë t’i japësh atyre fitoren. Nëse këmba e armikut është mbi zverkun e tyre për një çast, ndihmoi të mbërthejnë shpatën e Frymës dhe mundësisht të fitojnë betejën. Zot, larto frymët e fëmijëve të tu në ditën e konfliktit; mos i lër të ulen në pluhur, duke mbajtur zi përherë. Mos lejo kundërshtarin t’i lëndojë rëndë dhe t’i bëjë të ethshëm, por nëse kanë qenë, ashtu si Ana, të përndjekur, le t’i këndojnë mëshirës së një Perëndie çlirues.
Ne mund t’i kërkojmë Zotit tonë t’i lartësojë ata në fund fare! Lartësoji duke i çuar në parajsë, ngre trupat e tyre prej varrit dhe lartëso shpirtrat e tyre në mbretërinë Tënde të përjetshme në lavdi.
16 prill-mëngjes
“Gjaku i çmuar i Krishtit.”
{#1 Pjetri 1 :19}
Duke qëndruar te këmba e kryqit, shikojmë duart, këmbët dhe ijën, të gjitha rrymat e purpurta pastruese të gjakut të çmuar. Është “i çmuar” për shkak të efektshmërinë së tij shlyese dhe shpenguese. Me anë të tij mëkatet e njerëzve të Krishtit janë të larë, sepse ata nuk janë më nën ligj, janë të pajtuar me Perëndinë, janë bërë një me Të. Gjaku i Krishtit është gjithashtu “i çmuar” në fuqinë e tij pastruese; ai “pastron nga çdo mëkat.” “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.” Me anë të gjakut të Jezusit nuk ka as dhe një njollë të lënë mbi besimtarin, as rrudhë as ndonjë gjë të ngjashme. O gjak i çmuar, që na bën të pastër, duke hequr njollat e paudhësisë së bollshme dhe duke na lejuar të qëndrojmë të pranuar në Shumëtëdashurin, pavarësisht se jemi rebeluar kundra Perëndisë tonë në mënyra nga më të ndryshmet. Gjaku i Krishtit është po ashtu “i çmuar” në fuqinë e tij ruajtëse. Nën gjakun e spërkatur jemi të siguruar prej engjëllit shkatërrimtar. Kujto se është shikimi prej Perëndisë i gjakut që është arsyeja e vërtetë që ne jemi të kursyer.
Këtu ka ngushëllim për ne kur syri i besimit është i mekët, sepse syri i Perëndisë është akoma i njëjtë. Gjaku i Krishtit është “i çmuar” gjithashtu në ndikimin e tij shenjtërues. I njëjti gjak që justifikon duke hequr mëkatin, në veprimin e tij të vazhdueshëm, ngjall natyrën e re dhe e shpie atë përpara për të nënshtruar mëkatin dhe për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë. Nuk ka motiv aq të madh për shenjtërim sa ai që rrjedh prej venave të Jezusit. Dhe “i çmuar”, pashprehimisht i çmuar, është ky gjak, sepse ka një fuqi mposhtëse. Është e shkruar, “ata dolën fitimtar me anë të gjakut të Qengjit.” E si mund të bëjnë ndryshe? Ai që lufton me gjakun e çmuar të Jezusit, lufton me një armë që nuk mund të njohë disfatë. Gjaku i Jezusit! mëkati vdes në praninë e tij, vdekja resht të jetë vdekje; portat e parajsës janë të hapura. Gjaku i Jezusit! do të marshojmë përpara, duke mposhtur dhe për të mposhtur, për aq gjatë që mund ta vendosim besimin në pushtetin e tij!
16 prill-mbrëmje
“Duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit.”
{#Eksodi 17 :12}
Kaq e fuqishme ishte lutja e Moisiut, sa gjithçka varej prej saj. Peticionet e Moisiut shpartalluan armikun më shumë se lufta e Jozueut. Prapëseprapë të dyja ishin të nevojshme. Po, në konfliktin e shpirtit, forca dhe zelli, vendosmëria dhe përkushtimi, trimëria dhe fuqia duhet të bashkojnë forcat dhe gjithçka do të dalë mirë. Duhet që të luftoni me mëkatin tuaj, por pjesa më e madhe e betejës duhet bërë vetëm e veçan me Perëndinë. Lutja, ashtu si ajo e Moisiut, ngre lart dëshminë e besëlidhjes përpara Zotit. Bastuni ishte emblema e veprimit të Perëndisë me Moisiun, simboli i sundimit të Zotit në Izrael. Mëso, o shenjtor përgjërues, të mbash lart premtimin dhe betimin e Perëndisë para Tij. Zoti nuk mund të mohojë vetë shpalljet e Tij. Ngre lart bastunin e premtimit dhe do të kesh atë që do.
Moisiu u lodh dhe atëherë miqtë e tij e ndihmuan. Kurdoherë që lutja jote lëshohet, le ta mbështesë besimi në një krah, shpresa e shenjtë të ngrejë krahun tjetër dhe lutja duke u ulur mbi shkëmbin e Izraelit, shkëmbi i shpëtimit tonë, do të këmbëngulë dhe do të mbizotërojë. Ruaju prej dobësisë në përkushtim; nëse Moisiu e ndjeu atë, kush vallë mund të shpëtojë? Është shumë më e lehtë të luftosh kundër mëkatit në publik, se sa të lutesh kundër tij veçan. Vërehet se Jozueu nuk u lodh kurrë gjatë luftimit, por Moisiu u lodh në lutje; aq më shpirtëror një ushtrim, aq më i vështirë për mishin dhe gjakun ta mbajnë atë. Le të thërrasim pra për forcë të veçantë dhe Fryma e Perëndisë, që na ndihmon në dobësitë tona, po ashtu si i dha ndihmë Moisiut, na mundësoftë ashtu si ai të vazhdojmë me duart tona të palëvizura “deri në perëndimin e diellit”; deri sa nata e jetës të mbarojë, derisa të mbërrijmë në lindjen e një dielli më të mirë në tokën ku lutja shkrihet në lavdërim.
17 prill-mëngjes
“Ju iu afruat (keni ardhur) gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se gjaku i Abelit.”
{#Hebrenjve 12:24}
Lexues,e ke ardhur te gjaku i spërkatur? Pyetja nuk është nëse ke ardhur apo jo te një njohuri doktrine, ose një zbatim ceremonish, ose te një farë forme përvoje, por a ke ardhur te gjaku i Jezusit? Gjaku i Jezusit është jeta e çdo përshpirtshmërie jetësore. Nëse ke ardhur me të vërtetë te Jezusi, ne e dimë se si erdhe—Fryma e Shenjtë ëmbëlsisht të solli atje. Erdhe te gjaku i spërkatur me asnjë meritë tënden. Fajtor, i humbur dhe i pashpresë, erdhe për të marrë atë gjak dhe vetëm atë gjak si shpresën tënde të përjetshme. Erdhe te kryqi i Krishtit me një zemër të dërrmuar dhe të dridhur; dhe Oh! çfarë tingulli i çmuar që ishte për ty të dëgjoje zërin e gjakut të Jezusit! Derdhja e gjakut të Tij është si muzika e parajsës për bijtë e penduar të tokës.
Ne jemi plot me mëkate, por Shpëtimtari na urdhëron që të ngremë sytë te Ai, dhe ndërsa shikojmë te plagët e Tij që pikojnë, çdo pikë gjaku, ndërsa bie, thërret, “gjithçka u krye; i dhashë fund mëkatit; kam sjellë drejtësinë e përjetshme.” Oh! e folur e ëmbël e gjakut të çmuar të Jezusit! Nëse një herë ke ardhur te ai gjak, do të vish te ai vazhdimisht. Jeta jote do të jetë “duke i drejtuar sytë te Jezusi.” E gjithë sjellja jote do të përmblidhet në këtë gjë—“Duke ardhur te Ai.” Jo te Ai ku kam ardhur një herë, por te Ai ku po vij përherë. Nëse ke ardhur ndonjëherë te gjaku i spërkatur, do ta ndjesh nevojën e ardhjes atje çdo ditë. Ai që nuk dëshiron të lahet atje çdo ditë nuk është larë kurrë atje. Besimtari ndjen përherë se është gëzimi dhe privilegji i tij se ka akoma një burim të hapur. Përjetimet e shkuara janë ushqim i dyshimtë për të krishterët; vetëm një ardhje e tanishme te Krishti mund të na japë gëzim dhe ngushëllim. Këtë mëngjes le të spërkatim përsëri portën me gjak dhe të festojmë me Qengjin, të siguruar se engjëlli shkatërrues nuk do të na ngasë.
17 prill-mbrëmje
“Duam të shohim Jezusin.”
{#Gjoni 12 :21}
Përherë e më shumë klithma e njeriut të botës është, “kush do të na tregojë të mirën?” Ai kërkon kënaqësi në ngushëllimet, gëzimet dhe pasuritë tokësore. Por mëkatari i ngjallur njeh vetëm një të mirë. “O sikur të dija ku ta gjeja!” Kur ai është me të vërtetë i zgjuar duke ndjerë fajin e tij, edhe sikur të derdhje gjithë arin e Indisë nën këmbët e tij, do të thoshte, “hiqe tutje; dua të gjej Atë.” Është një gjë e bekuar për një njeri, kur ka përqendruar dëshirat e tij në një objekt të vetëm. Kur ka pesëdhjetë dëshira të ndryshme, zemra e tij i ngjan thjesht ujit ndenjës, i përhapur në një kënetë, duke përhapur erë të qelbur dhe murtajë, por kur të gjitha dëshirat e tij sillen në një kanal, zemra e tij bëhet si një lumë me ujë të pastër, duke rrjedhur me shpejtësi për të plehëruar tokat. Lum ai që ka një dëshirë, nëse ajo dëshirë është e vendosur te Krishti, edhe sikur të mos jetë e realizuar akoma. Nëse Jezusi është një dëshirë e shpirtit, është një shenjë e bekuar e veprës hyjnore përbrenda. Një njeri i tillë nuk do të jetë kurrë i kënaqur me rite. Ai do të thotë, “dua Krishtin; duhet që të kem Atë—ritet nuk më hyjnë në punë; dua Atë; mos më ofroni këto; po më ofroni broke boshe, ndërsa po vdes nga etja; më jepni ujë, përndryshe vdes. Jezusi është dëshira e shpirtit tim. Dua të shoh Jezusin!”
A është kjo gjendja jote, lexuesi im, këtë çast? A ke veçse një dëshirë dhe a është kjo mbas Krishtit? Atëherë nuk je larg mbretërisë së qiellit. A ke veçse një dëshirë në zemrën tënde dhe kjo dëshirë është që të mund të lahesh nga të gjitha mëkatet e tua në gjakun e Jezusit? A mund të thuash me të vërtetë, “do të jepja gjithçka që kam për të qenë i krishterë; do të jipja gjithçka që kam dhe shpresoj, nëse të mund të ndjeja se kam pjesë në Krishtin?” Atëherë, me gjithë druajtjet e tua, merr zemër, Zoti të do dhe së shpejti do të dalësh në dritën e ditës dhe do të gëzohesh në lirinë me anë të cilës Krishti i bën njerëzit të lirë.
18 prill-mëngjes
“Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqërremë.”
{#Jozueu 2 :21}
Rahabi u mbështet te premtimi i spiunëve për sigurinë e saj; ajo i shikoi ata si përfaqësuesit e Perëndisë të Izraelit. Besimi i saj ishte i thjeshtë dhe i fortë, por ishte shumë i bindur. Të lidhësh kordonin e hollë të kuqërremë në dritare ishte në vetvete një veprim shumë i zakonshëm, por ajo nuk guxoi të rrezikonte të mos ta bënte këtë gjë. Eja, shpirti im, a nuk ka këtu një mësim për ty? A ke qenë i kujdesshëm në lidhje me gjithë vullnetin e Zotit edhe pse disa nga urdhëresat e Tij mund të duken jo thelbësore? A i ke respektuar të dy urdhëresat e pagëzimit të besimtarit dhe Darkës të Zotit? Nëse janë lënë pas dore, kjo tregon shumë mosmirënjohje të ligë në zemrën tënde. Ji kështu në të gjitha gjërat i paqortueshëm, edhe për lidhjen e një filli, nëse ajo është punë urdhërese.
Ky akt i Rahabit nxjerr në pah një mësim akoma më solemn. A kam besuar plotësisht në gjakun e çmuar të Jezusit? A kam lidhur kordonin e kuqërremë, si nyje gordiane në dritaren time, kështu që besimi im nuk mund të lëvizet kurrë? Ose a mund të shikoj jashtë drejt Detit të Vdekur të mëkateve të mia, ose Jeruzalemit të shpresave të mia duke parë të gjitha gjërat të lidhura me pushtetin e gjakut të Tij të bekuar? Kalimtari mund të shikojë një kordon prej një ngjyre kaq të dallueshme nëse varet në dritare; do të ishte mirë me mua nëse jeta ime e bën efektshmërinë e shlyerjes të dallueshëm për të gjithë kalimtarët. Ku është shkaku për të pasur turp? Njerëzit dhe djajtë le të vështrojnë nëse duan, gjaku është mburrja dhe kënga ime. Shpirti im, ka Një që do të shikojë fillin e kuqërremë edhe kur për shkak të dobësisë së besimit tënd ti vetë nuk mund ta shikosh dot; Jehovai, Hakmarrësi, do ta shikojë dhe nuk do të të ngasë. Muret e Jerikos u rrëzuan; shtëpia e Rahabit ishte mbi mur dhe prapëseprapë qëndroi e palëvizur; natyra ime është e ndërtuar mbi murin e njerëzimit dhe prapëseprapë kur shkatërrimi godet njerëzimin, do të jem i sigurtë. Shpirti im, lidh përsëri në dritare kordonin e kuqërremë dhe prehu në paqe.
18 prill-mbrëmje
“Dhe Ti the: “Patjetër, Unë do të të bëj mirë.””
{#Zanafilla 32 :12}
Kur Jakobi ishte në anën e përroit Jabok dhe Esau po vinte me njerëz të armatosur, Ai kërkoi me ngulm mbrojtjen e Perëndisë dhe u mbrojt me kryearsyen, “dhe Ti the: patjetër, unë do të të bëj mirë.” Oh, forca e këtij përgjërimi! Ai po e zinte Perëndinë me vetë fjalët e Tij—”Ti the.” Atributi i besnikërisë së Perëndisë është një bri i shkëlqyeshëm i altarit për t’u kapur, por premtimi, i cili ka në vetvete atributin dhe diçka më shumë, është një mbështetës më i fortë— “Ti the, patjetër që do të të bëj mirë.” Dhe a ka thënë Ai vallë dhe nuk do ta bëjë? “Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar.” A nuk do të jetë Ai i vërtetë? A nuk do ta mbajë vallë fjalën? A nuk do të qëndrojë e patundur dhe a nuk do të përmbushet vallë çdo fjalë që del prej buzëve të Tij? Solomoni, me rastin e hapjes së tempullit, përdori po këtë përgjërim të fuqishëm. Ai përgjëroi Perëndinë të kujtonte fjalën që i kishte thënë atit të tij Davidit dhe të bekonte atë vend.
Kur një njeri nënshkruan një çek, nderi i tij është në lojë dhe duhet që të paguajë kur vjen koha e duhur, ose përndryshe humb besimin. Kurrë nuk do të thuhet se Perëndia nuk i paguan çeqet e Tij. Krediti i Shumëtëlartit nuk është vënë kurrë në dyshim dhe kurrë nuk do të vihet në dyshim. Ai është i përpiktë përsa i përket kohës; kurrë nuk është para kohës së duhur dhe kurrë nuk është mbrapa saj. Kërko në Fjalën e Perëndisë dhe krahasoje me përvojën e njerëzve të Perëndisë dhe do të zbulosh se të dyja përkojnë nga e para te e fundit. Shumë patriarkë të thinjur kanë thënë me Jozueun, “nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.” Nëse keni një premtim hyjnor, nuk duhet ta merrni në mbrojtje me një “nëse”, duhet ta kërkoni me siguri. Zoti e përmbush premtimin me të vërtetë, përndryshe nuk do ta kishte dhënë atë. Perëndia nuk i jep Fjalët e Tij thjesht për ta na qetësuar dhe për të na dhënë shpresë për pak kohë me qëllimin për të na mbajtur me premtime, por Ai flet ngaqë Ai synon të bëjë ashtu siç ka thënë.
19 prill-mëngjes
“Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund.”
{#Mateu 27 :51}
Me shqyerjen në dy pjesë të asaj perdeje kaq të trashë dhe të fortë nuk u krye mrekulli e vogël, por nuk synohej veçse një shfaqje fuqie—shumë mësime na mësohen këtu. Ligji i vjetër i urdhërimeve u hoq dhe si një rrobe e përdorur u gris dhe u vu mënjanë. Kur Jezusi vdiq, të gjitha flijimet përfunduan për shkak se të gjitha u përmbushën në Të dhe prandaj vendi i paraqitjes së tyre u shënua me një dëshmi të dukshme prishje. Ajo shqyerje në dy pjesë zbuloi gjithashtu të gjitha gjërat e fshehura të dispensacionit të vjetër; froni i mëshirës mund të shihej tani dhe lavdia e Perëndisë vezulloi mbi të. Me anë të vdekjes së Zotit tonë Jezus, ne kemi një zbulim të qartë të Perëndisë, sepse Ai nuk ishte “si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet.” Jeta dhe pavdekësia janë tani të sjella në dritë dhe gjërat që qenë fshehur që prej themelimit të botës janë të shfaqura tani në Të. Ceremonia e përvitshme e shlyerjes ishte kështu e hequr.
Gjaku shlyes që më përpara çdo vit spërkatej brenda perdes, u ofrua tani një herë e përgjithmonë me anë të Kryepriftit, kështu që vendi i ritit simbolik u thye. Tanimë nuk është më e nevojshme gjaku i demave dhe qengjave, sepse Jezusi ka hyrë brenda perdes me vetë gjakun e Tij. Që këtej e tutje hyrja te Perëndia është e lejuar dhe është privilegji i çdo besimtari në Krishtin Jezus. Nuk është një hapësirë e vogël nga ku ne mund të vështrojmë ngultas në fronin e mëshirës, por shqyerja në dy pjesë fillon nga maja deri në fund. Ne mund të vijmë me guxim te froni i hirit qiellor. A do të gaboheshim nëse do të thoshim se hapja e Vendit shumë të shenjtë në këtë mënyrë të mrekullueshme prej klithjes së fundit të Zotit tonë ishte shëmbëlltyra e hapjes së portave të parajsës për të gjithë shenjtorët me anë të virtytit të Pasionit? Zoti ynë i gjakosur ka çelësin e parajsës; Ai hap dhe asnjë njeri nuk mund të mbyllë; le të hyjmë brenda me Të në vendet qiellore dhe të ulemi me Të atje, derisa armiqtë tanë të përbashkët të bëhen stoli i këmbëve të Tij.
19 prill-mbrëmje
“Ameni.”
{#Zbulesa 3 :14}
Fjala Amen vërteton solemnisht atë që ishte më parë dhe Jezusi është Vërtetuesi i madh; i pandryshueshëm, është përherë “Ameni” në të gjitha premtimet e Tij. Mëkatar, do të doja të të ngushëlloja me këtë përsiatje. Jezu Krishti tha, “ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe Unë do t`ju jap çlodhje.” Nëse vini te Ai, Ai do të thotë “Amen” në shpirtrat tuaj; premtimi i Tij do të jetë i vërtetë për ty. Ai tha në ditët e Tij në tokë, “nuk do ta copëtoj kallamin e thyer.” O ti zemër e vrarë, e thyer, e gjorë, nëse vjen te Ai, do të të thotë “Amen” dhe kjo do të jetë e vërtetë në shpirtin tënd ashtu si në qindra rastet në vitet e kaluara. I krishterë, a nuk është kjo gjë shumë ngushëlluese për ty gjithashtu, se nuk ka as dhe një fjalë që ka dalë prej gojës së Shpëtimtarit që Ai ta ketë tërhequr mbrapa ndonjëherë? Fjalët e Jezusit do të qëndrojnë edhe atëherë kur qielli dhe toka do të kalojnë tutje. Nëse mbërthen veçse gjysmën e premtimit do të të duket i vërtetë. Ki kujdes prej atij që është i quajtur “premtim i nxituar,” i cili do të shkatërrojë shumë prej ngushëllimit të Fjalës së Perëndisë.
Jezusi është Po dhe Amen në të gjitha ofiqet e Tij. Ai ishte një herë një Prift për të falur dhe për të pastruar dhe është akoma Amen dhe Prift. Ishte një Mbret për të sunduar dhe mbretëruar për popullin e Tij dhe për ta mbrojtur me krahun e Tij të fuqishëm, Ai është një Mbret Amen, akoma i njëjti. Ishte një Profet i vjetër, për të parathënë gjërat e mira të ardhshme, buzët e Tij janë tejet të ëmbla dhe pikojnë mjaltë akoma—Ai është një Profet Amen. Ai është Amen përsa i përket meritës së gjakut të Tij; Ai është Amen përsa i përket drejtësisë së Tij. Ajo rrobë e shenjtë do të mbesë tejet e hijshme dhe e lavdishme kur natyra do të kalbet. Ai është Amen në çdo titull që mban; Dhëndri juaj, duke mos kërkuar kurrë ndarje; Miku juaj, më i afërt se një vëlla; Bariu juaj, me ju në luginën e errët të vdekjes; Ndihmësi dhe Çlirimtari juaj; Kështjella juaj dhe Kulla juaj e lartë; Briri i forcës suaj, mirëbesimi juaj, gëzimi juaj, gjithçkaja juaj në gjithçka dhe Po-ja dhe Ameni juaj në gjithçka.
20 prill-mëngjes
“Që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes.”
{#Hebrenjve 2:14}
O fëmijë i Perëndisë, vdekja ka humbur gjembin e saj, sepse pushteti i djallit mbi të është i shkatërruar. Prandaj mos ki më frikë të vdesësh. Kërko hir prej Perëndisë Frymës së Shenjtë, që me anë të një njohurie vetjake dhe një besim të fortë në vdekjen e Shpëtimtarit tënd, të mund të forcohesh për orën e frikshme. Duke jetuar afër kryqit të Kalvarit mund të mendosh me kënaqësi për vdekjen dhe ta mirëpresësh me një ëndje të madhe atëherë kur vjen. Është gjë e ëmbël të vdesësh në Zotin; është një bekim i besëlidhjes të flesh në Jezusin. Vdekja nuk është më dëbim, është një kthim nga mërgimi, një kthim në shtëpi te banesat e shumta ku të shumëdashurit banojnë tashmë. Largësia midis frymëve të të lavdëruarve në parajsë dhe shenjtorëve aktivistë mbi tokë duket e madhe, por nuk është kështu. Ne nuk jemi larg shtëpisë—një çast do të na sjellë atje. Vela është e shpalosur; shpirti lëshohet mbi detin.
Sa i gjatë do të jetë udhëtimi i tij? Sa shumë erëra kapitëse duhet të rrahin velën përpara se të paloset në limanin e paqes? Sa gjatë ai shpirt do të hidhet andej këndej mbi dallgë përpara se të mbërrijë në atë det që nuk njeh stuhi? Dëgjo përgjigjen, “na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.” Ajo anije sapo është nisur, por ka mbërritur tashmë në limanin e saj. Sapo shpalosi velat dhe u gjend atje. Ashtu si ajo barkë e vjetër, mbi detin e Galilesë, një stuhi e shkundi andej e këndej, por Jezusi tha, “pusho dhe fashitu,” dhe menjëherë mbërriti në tokë. Mos mendo se gjendet një periudhë e gjatë midis çastit të vdekjes dhe përjetësisë së lavdisë. Kur sytë mbyllen në tokë, ato hapen në parajsë. Kuajt prej zjarri nuk qëndrojnë as dhe një çast mbi udhë. Atëherë, o fëmijë i Perëndisë, pse vallë druan vdekjen, duke parë se përmes vdekjes së Zotit tënd gjembi dhe mallkimi i saj janë të shkatërruar? Dhe tani nuk është veçse një shkallë e Jakobit me këmbën mbi varrin e errët, por maja e saj arrin në lavdinë e përjetshme.
20 prill-mbrëmje
“Març pjesë (lufto) në betejat e Zotit.”
{#1 Samueli 18:17}
Ushtria priftërore e të zgjedhurve të Perëndisë po lufton akoma mbi tokë, Jezu Krishti duke qenë Kapiteni i shpëtimit të tyre. Ai ka thënë, “ja, Unë jam me ju në çdo kohë, deri në mbarim të botës.” Dëgjo thirrmat e luftës! Tani njerëzit e Perëndisë le të qëndrojnë të palëkundshëm në rreshtat e tyre dhe asnjë zemër mos u ligështoftë. Është e vërtetë se pikërisht tani në Angli beteja është kthyer kundra nesh dhe nëse Zoti nuk e ngre lart shpatën e Tij, nuk e dimë se çfarë do të bëhej me Kishën e Perëndisë në këtë tokë, por le të marrim zemër dhe të jemi burra. Kurrë nuk pati një ditë kur Protestantizmi u duk të lëkundet më shumë se tani që po bëhen përpjekje të zjarrta për të rimëkëmbur antikrishtin roman në fronin e tij të vjetër. Ne dëshirojmë me të madhe një zë të guximshëm dhe dorë të fortë për të predikuar dhe shpallur ungjillin e vjetër për të cilin martirët derdhën gjak dhe dëshmitarët vdiqën.
Shpëtimtari është, me anë të Frymës së Tij, akoma në tokë; le të na gëzojë kjo gjë. Ai është përherë në mes të luftimit dhe prandaj beteja nuk është e pasigurt. Dhe teksa konflikti ndizet, çfarë kënaqësi e ëmbël të dish se Zoti Jezus, në ofiqin e Tij si Ndërmjetësi ynë i madh, po merr në mbrojtje, fitimtar, njerëzit e Tij! O ti që vështron në ankth, mos shiko shumë te beteja poshtë, sepse atje do të mbulohesh me tym dhe do të turbullohesh prej rrobave të rrokullisura në gjak, por ngre sytë e tu atje ku Shpëtimtari jeton dhe ndërhyn në mbrojte, sepse ndërsa ndërhyn, çështja e Perëndisë është e sigurtë. Le të luftojmë sikur gjithçka të varej nga ne, por le të shikojmë lart dhe të jemi të vetëdijshëm se gjithçka varet nga Ai. Tani, në emër të zambakëve të pastërtisë së krishterë, të trëndafilave të shlyerjes së Shpëtimtarit, të kaprojve dhe sutave të fushës, ju që e doni Jezusin, ju porosisim, të jeni trima në Luftën e Shenjtë, për të vërtetën dhe për drejtësinë, për mbretërinë dhe për gurët e çmuar të kurorës së Mjeshtrit tuaj. Përpara! “sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.”
21 prill-mëngjes
“Por unë e di se Shpëtimtari im jeton.”
{#Jobi 19 :25}
Thelbi i ngushëllimit të Jobit qëndron në atë fjalë të vogël “im” –“Shpëtimtari im” dhe në faktin se Shpëtimtari jeton. Oh! të kapesh fort te Krishti i gjallë. Duhet që të kemi pjesë në Të, përpara se ta gëzojmë. Çfarë është ari në minierë për mua? Njerëzit janë lypës në Peru dhe lypin bukën e tyre në Kaliforni. Është ari në kuletën time ai që do të plotësojë nevojat e mia, duke blerë bukën për të cilën kam nevojë. Po ashtu, një Shpëtimtar që nuk më shpëton, një shpagues që nuk do të të luftojë për gjakun tim, çfarë vlere ka vallë? Mos qëndro i kënaqur derisa me anë të besimit të mund të thuash “Po, ia jap veten Zotit të gjallë dhe Ai është imi.” Mund të jetë se e mbani Atë me një dorë të dobët; e mendoni se do të ishte mburrje të thoni, “Ai jeton si Shpëtimtari im”; prapëseprapë, kujtoni se nëse keni besim veçse sa një farë sinapi, ai besim i vogël ju jep të drejtën ta thoni një gjë të tillë.
Mirëpo ka dhe një tjetër fjalë këtu, shprehëse e mirëbesimit të madh të Jobit, “e di.” Të thuash, “shpresoj, ashtu besoj,” është gjë ngushëlluese dhe ka qindra në kopenë e Jezusit që me zor arrijnë më larg. Por për të arritur thelbin e ngushëllimit, ju duhet të thoni, “e di.” Nëse, por dhe ndoshta janë vrasëse të sigurta të paqes dhe ngushëllimit. Dyshimet janë gjëra të tmerrshme në kohët e pikëllimit. Ashtu si grerëza, ato thumbojnë shpirtin! Nëse kam ndonjë dyshim se Krishti nuk është imi, atëherë ka uthull të përzier me vrerin e vdekjes, por nëse e di se Jezusi jeton për mua, atëherë errësira nuk është e errët; madje edhe nata është dritë rreth meje. Me siguri që nëse Jobi, në ato kohëra përpara ardhjes dhe mbërritjes së Krishtit mund të thoshte, “e di,” ne nuk duhet që të flasim më me pak siguri. Perëndia mos e dhëntë që siguria jonë të jetë mburrje. Le të kemi kujdes që provat tona të jenë ato të duhurat, prej frikës se mos ndërtojmë mbi një shpresë të pabazë; po ashtu, le të mos kënaqemi thjesht me themelin, sepse është prej dhomave të epërme që ne shikojmë horizontin më të gjerë. Një Shpëtimtar i gjallë, me të vërtetë imi, është gëzim i pashprehshëm.
21 prill-mbrëmje
“Ai është në të djathtë të Perëndisë.”
{#Romakëve 8 :34}
Ai që ishte një herë i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, tani zë pozicionin e nderit të një Biri të nderuar dhe të dashur. E djathta e Perëndisë është vendi i madhështisë dhe i favorit. Zoti ynë Jezus është përfaqësuesi i njerëzve të Tij. Kur Ai vdiq për ta, këta patën prehje; Ai u ringjall për ta, këta patën liri; kur u ul në krahun e djathtë të Atit, ata patën favor, nder dhe dinjitet. Ringjallja dhe ngritja lart e Krishtit është lartësimi, pranimi, nderimi dhe lavdërimi i të gjithë njerëzve të Tij, sepse Ai është kreu dhe përfaqësuesi i tyre. Prandaj, ky pozicion në të djathtën e Perëndisë duhet parë si pranimi i personit të Sigurisë, si pranimi i Përfaqësuesit dhe si rrjedhim si pranimi i shpirtrave tanë. O shenjtor, shiko këtu çlirimin tënd të sigurtë prej ndëshkimit. “Kush është ai që dënon?” Kush vallë do të dënojë njerëzit që janë në Jezusin, në krahun e djathtë të Perëndisë?
Krahu i djathtë është vendi i pushtetit. Krishti në krahun e djathtë të Perëndisë ka çdo pushtet në qiell e në tokë. Kush vallë do të luftojë kundra njerëzve që janë të veshur me një pushtet të tillë të gjendur në Kapitenin e tyre? O shpirti im, çfarë mund të të shkatërrojë nëse i Plotfuqishmi është ndihmësi yt? Nëse mburoja e të Plotfuqishmit të mbulon, cila shpatë mund të të godasë? Qëndro i sigurtë. Nëse Jezusi është Mbreti yt fitimtar dhe që ka shkelur armiqtë nën këmbët e Tij; nëse mëkati, vdekja dhe ferri janë të gjithë të mposhtur prej Tij dhe ti je i përfaqësuar në Të, në asnjë mundësi nuk mund të shkatërrohesh.
Emri i madh i Jezusit
I jep dërrmën armiqve tanë,
Jezusi, i buti, i zemëruari Qengj
Në luftë është luan.
Sulmuar prej gjithë ushtrisë së ferrit
Gjithë ushtrinë e ferrit e mposhtim
Ngadhënjimtarë me anë të gjakut të Jezusit
Marshojmë përpara për të fituar.
22 prill-mëngjes
“Perëndia e lartësoi.”
{#Veprat 5:31}
Jezusi, Zoti ynë, një herë i kryqëzuar, i vdekur dhe i varrosur, tani ulet mbi fronin e lavdisë. Vendi më i lartë që ofron parajsa është i Tij me anë të së drejtës së Tij të padiskutueshme. Është gjë e ëmbël të kujtosh se lartësimi i Krishtit në parajsë është një lartësim përfaqësues. Ai është i lartësuar në krahun e djathtë të Atit dhe edhe pse si Jehova ka lavdi të larta, ku krijesat e kufizuara nuk mund të marrin pjesë, prapëseprapë si Ndërmjetës, nderet që Jezusi mban në parajsë janë trashëgimia e të gjithë shenjtorëve. Është e këndshme të mendosh se sa i ngushtë është bashkimi i Krishtit me njerëzit e Tij. Ne jemi me të vërtetë një me Të; ne jemi pjesëtarë të trupit të Tij; dhe lartësimi i Tij është lartësimi ynë. Ai do të bëjë që të ulemi në fronin e Tij, po ashtu si vetë Ai ka dalë fitimtar dhe është ulur me Atin e Tij në fronin e Tij; Ai ka një fron dhe na jep ne kurora gjithashtu; Ai ka një fron, por nuk është i kënaqur të ketë një fron vetëm, në krahun e Tij të djathtë duhet të jetë mbretëresha e Tij, e zbukuruar me “ar të Ofirit.”
Ai nuk mund të lavdërohet pa nusen e Tij. Besimtar, shiko lart te Jezusi tani; le ta vështrojë syri i besimit Atë me shumë kurora mbi kokën e Tij; dhe sill ndërmend se një ditë do të jesh si Ai, kur do ta shohësh ashtu siç është; nuk do të jesh aq i madh sa Ai, nuk do të jesh aq hyjnor, por megjithatë, në një farë mase, do të ndash të njëjtat ndere dhe do të gëzosh të njëjtën lumturi dhe të njëjtin dinjitet që Ai zotëron. Ji i kënaqur të jetosh i panjohur për një farë kohe dhe të vazhdosh udhën tënde të lodhshme përmes fushave të varfërisë, ose lart mbi kodrat e pikëllimit, sepse edhe pak do të mbretërosh me Krishtin, sepse Ai “na bërë mbretër dhe priftërinj për Perëndinë tonë dhe do të mbretërojmë mbi dhe.” Oh! mendim i mrekullueshëm për fëmijët e Perëndisë! Ne kemi Krishtin si përfaqësuesin tonë të lavdishëm në oborret e parajsës dhe së shpejti Ai do të vijë dhe do të na marrë për të qenë atje bashkë me Të, për të parë lavdinë e Tij dhe për të ndarë gëzimin e Tij.
22 prill-mbrëmje
“Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës.”
{#Psalmi 91:5}
Cili është ky tmerr? Mund të jetë klithma “zjarr”, ose zhurma e vjedhësve, ose shfaqje të imagjinatës, ose piskama e sëmundjes ose e vdekjes së papritur. Jetojmë në një botë vdekjeje dhe pikëllimi, kështu që mund ta presim fatkeqësinë si natën po ashtu poshtë rrezeve të diellit përcëllues. Por kjo nuk duhet të na alarmojë, sepse çfarëdo qoftë tmerri, premtimi është se besimtari nuk do të ketë frikë. E pse duhet të ketë frikë? Le ta shikojmë më afër këtë gjë, pse duhet vallë që ne të kemi frikë? Perëndia Ati ynë është këtu dhe do të jetë këtu përmes gjithë orëve të vetmuara; Ai është një Roje e fuqishme, një Mbrojtës i pagjumë, një Mik besnik. Asgjë nuk mund të ndodhë pa urdhrin e Tij, sepse edhe vetë ferri është nën kontrollin e Tij.
Errësira nuk është e errët për Të. Ai ka premtuar të jetë një mur zjarri përreth popullit të Tij—dhe kush mund të çajë një pengesë të tillë? Njerëzit e botës me të drejtë do të kishin frikë, sepse kanë një Perëndi të zemëruar ndaj tyre, një ndërgjegje fajtore përbrenda tyre dhe një ferr gojëhapur poshtë tyre, por ne që prehemi në Jezus jemi të shpëtuar prej të gjitha këtyre me mëshirë të pasur. Nëse i lëmë shteg frikës së pamend, do të çnderojmë rrëfimin e besimit tonë dhe do të shtyjmë të tjerët të dyshojnë vërtetësinë e perëndishmërisë sonë. Duhet të kemi frikë prej së pasuri frikë, se mos trishtojmë Frymën e Shenjtë me anë të një mosbesimi të pamend. Tutje, pra, ju parandjenja të zymta dhe ju shqetësime të paqena, Perëndia nuk ka harruar të jetë i hirshëm dhe as nuk ka mbyllur me shul mëshirat e Tij të dhembshura; mund të jetë natë në shpirt, por nuk ka pse të ketë tmerr, sepse Perëndia i dashurisë nuk ndryshon. Fëmijët e dritës mund të ecin në errësirë, por ata nuk hidhen poshtë për këtë arsye, jo, ata janë tani të mundësuar të provojnë adoptimin e tyre duke besuar Atin e tyre ashtu si hipokritët nuk do të mund ta bënin dot.
Edhe kur nata e tmerrshme dhe e errët,
Errësira nuk mund të fshehë nga Ty;
Ti je Ai që pa u lodhur kurrë,
Ruan kudo ndodhet popullin Tënd.
23 prill-mëngjes
“Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të Atij që na deshi”
{#Romakëve 8 :37}
Ne shkojmë te Krishti për falje dhe pastaj shumë shpesh shikojmë të ligji për fuqi për të luftuar mëkatet tona. Pali na qorton kështu, “O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës? Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit? A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish? I çoni mëkatet tuaja te kryqi i Krishtit, sepse njeriu i vjetër mund të kryqëzohet vetëm atje, ne jemi të kryqëzuar me Të. E vetmja armë për të luftuar mëkatin është heshta që shpoi ijën e Jezusit. Për të dhënë një ilustrim—doni që të mposhtni një karakter të pezmatuar, si do ia dilni vallë? Ka shumë gjasa se nuk e keni provuar kurrë mënyrën e duhur për ta çuar te Jezusi. Si vallë e mora shpëtimin? Erdha te Jezusi ashtu siç isha dhe i besova për të më shpëtuar.
Në të njëjtën mënyrë duhet që të vras dellin e zemëruar. Është e vetmja mënyrë me anë të cilës mund ta heq qafe. Duhet të shkoj me të te Kryqi dhe t’i them Jezusit, “Zot, të besoj për të më çliruar nga kjo gjë.” Kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse. A je lakmitar? A ndjen se bota të huton? Mund të luftosh kundër kësaj të lige për aq gjatë sa të duash, por nëse është mëkati yt kryesor, nuk do të çlirohesh kurrë prej tij në çfarëdo mënyrë qoftë, përveçse me anë të gjakut të Jezusit. Shpjerja Krishtit. Thuaji, “Zot, e vendosa besimin te Ty dhe emri yt është Jezus, sepse Ti shpëton me të vërtetë popullin Tënd prej mëkateve të tij; Zot, ky është një prej mëkateve të mi; më shpëto prej tij!” Ritet si mjet për të kryqëzuar mëkatin, janë hiç gjë pa Krishtin. Lutjet, pendesat dhe lotët e tu—të gjithë këto të vëna së bashku—nuk vlejnë asgjë pa Të. “Asnjë përveç Jezusit nuk mund t’i bëjë mirë mëkatarëve të pandihmë;” ose edhe shenjtorëve të dobët. Duhet që të jeni fitimtarë për hir të Atij që na deshi, nëse doni të fitoni me të vërtetë. Dafinat tona duhet të rriten mes ullinjve të Gjetsemanes.
23 prill-mbrëmje
“Dhe pashë, në mes të fronit, një Qengj si i therur.”
{#Zbulesa 5 :6}
Pse vallë Zoti ynë i lartësuar shfaqet me plagët e Tij në lavdi? Plagët e Jezusit janë lavditë, gurët e çmuar, zbukurimet e Tij. Për syrin e besimtarit,Jezusi është më se i hijshëm sepse Ai është “i bardhë dhe i kuq”; i bardhë me pafajësi dhe i kuq me vetë gjakun e Tij. Ne e shikojmë Atë si zambaku i një pastërtie të pashoqe dhe si trëndafili kërmëz. Krishti është i dashur mbi Malin e Ullinjve, në Tabor dhe buzë detit, por oh! kurrë nuk kishte një Krisht aq të mahnitshëm sa Ai që u var në kryq. Atje ne shikojmë të gjithë bukuritë e Tij në përkryerje, të gjithë atributet e Tij të shfaqura, e gjithë dashuria e Tij e shpalosur, i gjithë karakteri i Tij i shprehur. Të dashur, plagët e Jezusit janë shumë më të hijshme në sytë tanë se i gjithë shkëlqimi dhe pompoziteti i mbretërve. Kurora me gjemba është më shumë se një diademë perandorake.
Është e vërtetë se tani Ai nuk mban skeptrin prej kallami, por kishte një lavdi në të që kurrë nuk vezulloi prej skeptrit prej ari. Jezusi ka dukjen e një Qengji të therur si petkun e Tij mbretëror në të cilin Ai kërkoi shpirtrat tanë dhe kreu shpëtimin me një shlyerje të plotë. Po ashtu këto nuk janë veçse zbukurimet e Krishtit; ato janë trofetë e dashurisë dhe të fitores së Tij. Ai ka ndarë plaçkën me të fortin. Ai ka shpëtuar për Veten e Tij një shumicë të madhe që asnjë njeri nuk mund të numërojë dhe këto vurrata janë përkujtimoret e luftimit. Ah! nëse Krishti do aq shumë sa të ruajë mendimin e vuajtjeve të Tij për popullin e Tij, sa të çmuara duhet të jenë plagët e Tij për ne!
Shiko se si çdo plagë e Tij
Balsam të çmuar kullon,
Që shëron vurratat që mëkati bëri,
Dhe mjekon çdo sëmundje vdekjeprurëse.
Ato plagë janë gojë që predikojnë hirin e Tij;
Emblemat e dashurisë së Tij;
Vulat e lumnisë sonë të pritshme
Lart në parajsë.
24 prill-mëngjes
“Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur.”
{#Nehemia 9 :38}
Ka shumë raste në përjetimin tonë kur me të drejtë dhe për dobinë tonë mund të përtërijmë besëlidhjen tonë me Perëndinë. Mbas mëkëmbjes prej sëmundjes, ashtu si Ezekia, ne patëm një periudhë të re vitesh që iu shtuan jetës sonë, ne mund ta bëjmë këtë gjë ashtu si duhet. Mbas çdo çlirimi nga telashi, kur gëzimet tona nxjerrin sytha sërish, le të vizitojmë përsëri këmbën e kryqit dhe të ripërsërisim përkushtimin tonë. Veçanërisht, le ta bëjmë këtë mbas çdo mëkati që ka trishtuar Frymën e Shenjtë, ose që ka çnderuar çështjen e Perëndisë; le të shikojmë atëherë te gjaku që mund të na bëjë më të bardhë se bora dhe sërish t’ia ofrojmë veten Zotit. Ne nuk duhet të lejojmë që vetëm telashet të konfirmojnë përkushtimin tonë ndaj Perëndisë, por edhe begatia jonë duhet të bëjë të njëjtën gjë. Nëse ndeshim raste që meritojnë të quhen “mëshira kurorëzuese” atëherë me siguri, nëse Ai na ka kurorëzuar, edhe ne gjithashtu duhet që të kurorëzojmë Perëndinë; le të nxjerrim në dritë serish gurët e çmuar të shenjës hyjnore që janë ruajtur në zemrën tonë dhe Perëndia ynë le të ulet mbi fronin e dashurisë sonë, i stolisur me petka mbretërore.
Nëse do të mësonim të kishim dobi prej begatisë sonë, nuk do të kishim nevojë për shumë kundërshti. Nëse do të mblidhnim prej një puthjeje të gjithë të mirën që mund të na jepte, nuk do të lëndoheshim dhe aq shpesh nën fshikull. A kemi marrë së fundmi ndonjë bekim që pak e prisnim? A na ka dhënë Zoti ynë begati? A mund të këndojmë për mëshirat e shumëzuara? Atëherë kjo është dita për të vendosur duart tona mbi brirët e altarit dhe të themi, “më lidh këtu, Perëndia im, më lidh këtu me litarë, përherë e përherë.” Aq sa edhe kemi nevojë që Perëndia të përmbushë për ne premtime të reja, le të ofrojmë lutje të ripërtëritura që zotimet tona të vjetra të mos çnderohen. Le të bëjmë me Të këtë mëngjes një besëlidhje të sigurtë, për shkak të dhembjeve të Jezusit që muajin e kaluar i kemi konsideruar me mirënjohje.
24 prill-mbrëmje
“Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.”
{#Kantiku i kantikëve 2 :12}
Stina e pranverës është e ëmbël; dimri i gjatë dhe i zymtë na ndihmon të vlerësojmë ngrohtësinë e saj të këndshme, dhe premtimi i saj i verës rrit ëndjet e saj të tanishme. Mbas periudhash amulli fryme, është e këndshme të vështrosh sërish dritën e Diellit të Drejtësisë; atëherë hiret tona dremitës ngrihen prej letargjisë së tyre, ashtu si krokëlli dhe narcisi i lëndinës prej lehes së tyre; atëherë zemra jonë është në hare me melodi të mrekullueshme mirënjohjeje, shumë më e këndshme se cicërima e zogjve—dhe siguria ngushëlluese e paqes, shumë më e këndshme se zëri i turtulleshës, dëgjohet brenda shpirtit. Tani është koha për shpirtin të kërkojë shoqërim me Shumëtëdashurin e Tij; tani ai duhet të ngrihet prej fëlliqësisë së tij të natyrshme dhe të dalë jashtë prej ortakërive të vjetra.
Nëse nuk e ngremë velën kur flladi është i favorshëm, do të jemi të qortueshëm; periudhat e freskisë nuk duhet të kalojnë mbi ne dhe ne të mbetemi pa u përmirësuar. Kur vetë Jezusi na viziton në butësi dhe na nxit të ngrihemi, a mund të jemi vallë aq të ulët sa të kundërshtojmë kërkesën e Tij? Ai Vetë është ngritur që të mund të na tërheqë mbas Tij; Ai tani na ka ngjallur me Frymën e Tij të Shenjtë, që të mundim, në risi jete, të ngjitemi lart e të mbajmë shoqërim me Të. Le të na mjaftojë gjendja jonë dimërore për sa i përket ftohtësisë dhe mospërfilljes; kur Zoti krijon një pranverë përbrenda, limfa jonë le të derdhet me fuqi dhe dega jonë të lulëzojë me vendosmëri të lartë. O Zot, nëse nuk është pranverë në zemrën time të ftohtë, të lutem të sjellësh pranverën, sepse jam i lodhur në zemër duke jetuar larg prej Teje. Oh! dimrit të zymtë dhe të gjatë, kur do t’i japësh fund vallë? Eja, Frymë e Shenjtë, dhe ripërtëri shpirtin tim! më ngjall! më rimëkëmb dhe ki mëshirë për mua! Këtë natë do të përgjëroj me zell Zotin të tregojë mëshirë për shërbëtorin e Tij dhe të më dërgojë një rigjallërim të lumtur jete shpirtërore!
25 prill-mëngjes
“Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!”
{#Kantiku i kantikëve 2:10}
Ja, dëgjoj zërin e Shumëtëdashurit tim! Po më flet! Koha e bukur po buzëqesh mbi faqen e tokës dhe Ai nuk do të donte që të jem i përgjumur shpirtërisht ndërsa natyra po zgjohet përreth meje prej prehjes së dimrit. Ai më urdhëron “Çohu,” dhe mirë e ka sepse mjaft gjatë kam qenë i shtrirë mes botës. Ai është i ngritur, jam i ngritur në Të, pse vallë duhet t’i ngjitem pluhurit? Prej dashurive, dëshirave, ndjekjeve dhe aspiratave të ulëta do të doja të ngrihesha lart drejt Tij. Ai më thërret me anë të titullit të ëmbël “e bukura ime,” dhe më quan të hijshme; ky është një argument i mirë për ngritjen time. Nëse Ai më ka lartësuar kështu dhe më quan të hijshëm, si vallë mund të rri më gjatë në tendat e Kedarit dhe të gjej shoqëri midis bijve të njerëzve? Ai më urdhëron “eja.” Ai më thërret për më tej akoma prej çdo gjëje egoiste, të ulët, mondane, mëkatare; po, prej botës fetare në dukje që nuk e njeh Atë, dhe nuk ka bashkësi me misterin e jetës më të lartë, Ai më thërret. “Eja” nuk tingëllon vrazhdë në veshin tim, sepse çfarë është ajo gjë që mund të më mbajë në këtë shkretëtirë kotësie dhe mëkati?
O Zoti im, do të doja të vija, por jam kapur midis ferrave dhe nuk mund të shpëtoj prej tyre ashtu siç do të doja. Do të doja nëse do të ishte e mundur, të mos kem as sy, as veshë as zemër për mëkatin. Ti më thirre për te Ty duke thënë “eja,” dhe kjo është një thirrje e ëmbël me të vërtetë. Të vij te Ti është të kthehem në shtëpi prej mërgimit, të zbarkoj në tokë mbas stuhisë së furishme, të prehem mbas një rropatje të gjatë, të vij te qëllimi i dëshirave të mia dhe te kulmi i urimeve të mia. Por Zot, si mund të ngrihet vallë një gur, si mund një copë argjile të shkëputet prej një grope të tmerrshme? Oh më ngre, më tërhiq. Hiri yt mund ta bëjë këtë. Dërgo Frymën Tënde të Shenjtë për të ndezur flakë të shenjta dashurie në zemrën time dhe do të vazhdoj të ngrihem derisa të lë jetën dhe kohën mbrapa meje dhe me të vërtetë të vij.
25 prill-mbrëmje
“Nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, Unë do të hyj tek ai.”
{#Zbulesa 3 :20}
Cila është dëshira jote këtë mbrëmje? A është e vendosur mbi gjëra qiellore? A dëshiron me zjarr të gëzosh doktrinën e lartë të dashurisë të përjetshme? A dëshiron liri në shoqërim shumë të ngushtë me Perëndinë? A dëshiron shumë të njohësh lartësitë, thellësitë, gjatësitë dhe gjerësitë? Atëherë duhet të shkosh afër Jezusit; duhet të kesh një pamje të qartë të Tij në çmueshmërinë dhe plotësinë e Tij; duhet ta shikosh Atë në veprën, ofiqet, personin e Tij. Ai që kupton Krishtin merr një vajosje prej së Shenjtit, me anë të cilës njeh të gjitha gjërat. Krishti është çelësi i madh që hap të gjitha dhomat e Perëndisë; nuk ka dhomë thesar të Perëndisë që nuk do të hapet dhe nuk do t’i japë gjithë pasurinë e saj shpirtit që jeton afër Jezusit. A po thua, “oh sikur të banonte në kraharorin tim?” “Sikur të donte të bënte zemrën time vendbanimin e Tij përherë?” Hap derën, i dashur, dhe Ai do të vijë në shpirtin tënd.
Prej kohësh Ai po troket dhe e gjithë kjo me qëllim që të hajë darkë me ty dhe ti me Të. Ai ha darkë me ty, sepse ti ofron shtëpinë ose zemrën, dhe ti me Të, sepse Ai siguron ushqimin. Ai nuk do të mund të darkonte me ty jashtë zemrës tënde, po ashtu nuk mund të darkosh me Të, sepse pa furnizimin e Tij enët e tua janë të zbrazura. Hap gjerë e gjatë pra, kanatet e shpirtit tënd. Ai do të vijë me atë dashuri që ti dëshiron ta ndjesh me zjarr; Ai do të vijë me atë gëzim ku nuk mund ta shpiesh dot të gjorën frymë tënde të shtypur; Ai do të sjelle paqen që tani nuk e ke; do të vijë me mollët e Tij të ëmbla të dashurisë dhe do të të gëzojë derisa të mos kesh asnjë sëmundje tjetër përveç asaj të “dashurisë hyjnore, dashurisë fitimtare.” Veçse hapja derën, nxirr jashtë armiqtë e Tij, jepi çelësat e zemrës tënde dhe Ai do të banojë atje përherë. Oh, dashuri e mrekullueshme, që sjell një mik të tillë të banojë në një zemër të tillë.
26 prill-mëngjes
“Bëni këtë në përkujtimin Tim.”
{#1 Korintasve 11:24}
Atëherë duket se të krishterët mund ta harrojnë Krishtin! Nuk do të kishte nevojë për këtë inkurajim të dashur nëse nuk do të kishte një hamendje të frikshme se kujtesa jonë mund të jetë tradhtare. Po ashtu kjo nuk është thjesht një hamendje, por konfirmohet për fat të keq në përvojën tonë, jo si një mundësi, por si një fakt i vajtueshëm. Duket pothuajse e pamundur që ata që janë shlyer prej gjakut të Qengjit të therur dhe që janë dashur me një dashuri të përjetshme prej Birit të përjetshëm të Perëndisë, të mund të harrojnë atë Shpëtimtar të hirshëm; por, sado drithëruese për t’u dëgjuar, është në fakt realiteti. Të harrosh Atë që nuk na harron kurrë! Të harrosh Atë që derdhi gjakun e Tij për mëkatet tona! Të harrosh Atë që na deshi deri në vdekje! A është e mundur? Po, jo vetëm që është e mundur, por ndërgjegjja rrëfen me keqardhje se ne të gjithë jemi fajtorë në lidhje me këtë gjë duke lejuar që Ai të jetë veç si një udhëtar që qëndron vetëm për një natë.
Ai të Cilin duhet ta bëjmë banorin e përhershëm të kujtesës sonë, nuk është veçse një vizitor. Kryqi, ku supozohet se kujtesa do të qëndronte dhe ku hutimi nuk do të kishte vend, është i përdhosur prej këmbëve të harresës. A nuk ju thotë ndërgjegjja se kjo është e vërtetë? A nuk ju duket se e harroni Jezusin? Ndonjë krijesë ju përvidhet në zemër dhe jeni kështu të pavëmendshëm ndaj Atij që duhet të shfaqni dashuri. Ndonjë punë e kësaj bote përpin vëmendjen, ndërkohë që duhet t’i fiksoni sytë ngulët mbi kryqin. Janë shqetësimet e pasosura të botës, tërheqja e vazhdueshme e gjërave të botës që largojnë shpirtin prej Krishtit. Ndërsa kujtesa ruan lehtësisht një farë të helmët, lejon që trëndafili i Sharonit të vyshket. Le të lidhim një mos-më-harro qiellor rreth zemrave tona për Jezusin, Shumëtëdashurin tonë dhe çfarëdo qoftë tjetër që kalon tutje, le ta mbërthejmë fort Atë.
26 prill-mbrëmje
“Lum ai që rri zgjuar.”
{Zbulesa 16:15}
“Ne vdesim përditë,” thotë apostulli. Kjo ishte jeta e të krishterëve të hershëm; ata shkuan kudo me jetën e tyre në rrezik. Këto ditë ne nuk jemi të thirrur për të kaluar përmes të njëjtave persekutime të frikshme; nëse do të ndodhte, atëherë Zoti do të na jepte hir për të duruar sprovën, por sprovat e jetës së krishterë, në çastin e tanishëm, edhe pse në dukje jo dhe aq të tmerrshme, prapëseprapë ka më shumë mundësi që të na mposhtin edhe më shumë se sa gjatë atyre kohërave të zjarrta. Ne na duhet të durojmë përqeshjen e botës—kjo është pak; mburrjet e saj, fjalët e saj joshëse, fjalimet e saj lajkatare, servilizmi i saj, hipokrizia e saj, janë më keq akoma. Rreziku ynë është se mos bëhemi të pasur dhe krenar, se mos ia japim veten zakoneve të kësaj bote të tashme të ligë dhe se mos humbim besimin tonë. Por nëse pasuria nuk do të ishte një sprovë, shqetësimet e botës janë po aq të dëmshëm. Nëse nuk do të shqyheshim prej një luani që vrumbullon, por ama nëse do të binim pre e ariut, për djallin kjo nuk ka rëndësi, nëse ka arritur që të shkatërrojë dashurinë tonë ndaj Krishtit dhe mirëbesimin tonë te Ai.
Kam frikë se kisha e krishterë është më e prirur të humbasë integritetin e saj në këto ditë të mëndafshta dhe të buta se sa në ato kohë më të vështira. Duhet të jemi të zgjuar tani, sepse po kalojmë tokën e magjepsur dhe jemi shumë të prirur të na kaplojë një gjumë fatal, nëse besimi ynë në Jezusin nuk është një realitet dhe dashuria jonë për Të nuk është një flakë e fuqishme. Ka shumë nga ata që në këto ditë rrëfimbesimi të lehtë mund të dalin egjër dhe jo grurë; hipokritë me maska të hijshme në fytyrat e tyre, por jo fëmijë të vërtetë të Perëndisë të gjallë. I krishterë, mos mendo se këto janë kohëra ku mund të bësh pa vigjilencën ose zellin e shenjtë; ti ke nevojë për këto gjëra më shumë se kurrë dhe Perëndia Fryma e përjetshme shfaqtë plotfuqishmërinë e Tij në ty, që të mund të thuash, si në rrethanat e lehta po ashtu si dhe në më të vështirat, “ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të Atij që na deshi.”
27 prill-mëngjes
“Perëndia, Perëndia ynë.”
{#Psalmi 67:6}
Është e çuditshme se sa pak i përdorim bekimet shpirtërore që Perëndia na jep, por është akoma më e habitshme se sa pak i drejtohemi vetë Perëndisë. Edhe pse Ai është “Perëndia ynë,” ne i drejtohemi dhe e kërkojmë pak. Sa rrallë që kërkojmë këshillë në duart e Zotit! Sa shpesh që shkojmë në punët tona, pa kërkuar udhëheqjen e Tij! Në telashet tona sa vazhdimisht përpiqemi t’i mbajmë vetë barrët tona, në vend që t’ia ngarkojmë Zotit, me qëllim që të na mbështesë! Kjo nuk ndodh për shkak se nuk mundemi, sepse Zoti duket se thotë, “jam i Yti, shpirt, eja dhe m’u drejto ashtu siç do; lirisht mund të vish në depon Time dhe sa më shpesh vjen, aq më i mirëpritur je.” Është faji ynë nëse nuk përdorim lirshëm pasuritë e Perëndisë tonë. Atëherë, përderisa ke një mik të tillë dhe që të fton, tërhiq prej Tij përditë.
Mos të mungojë gjë ndërsa ke një Perëndi ku të shkosh; kurrë mos druaj, kurrë mos u ligështo ndërsa ke Perëndinë për të të ndihmuar; shko te thesari yt dhe merr çfarë të duash—atje ka gjithçka që të lypset. Mëso aftësinë hyjnore që ta bësh Perëndinë gjithçka për ty. Ai mund të të furnizojë me gjithçka, ose më mirë akoma, Ai mund të jetë për ty në vend të gjithçkaje. Me lejo të të nxis atëherë t’i drejtohesh Perëndisë. Drejtoju në lutje. Shko shpesh te Ai, sepse Ai është Perëndia yt. Oh, a nuk do ta përdorje një privilegj kaq të madh? Nxito te Ai, thuaji se çfarë të lypset. Drejtoju vazhdimisht me anë të besimit në çdo çast. Nëse ndonjë providencë e errët të ka mbuluar me re, bëje Perëndinë tënd një “diell;” nëse ndonjë armik i fortë të ka rrethuar, gjej në Jehovain një “mburojë,” sepse Ai është një diell dhe një mburojë për popullin e Tij. Nëse ke humbur rrugën në labirintet e jetës, merre si një “udhërrëfyes,” sepse Ai do të të drejtojë. Çfarëdo qofsh dhe kudo qofsh, kujto se Perëndia është pikërisht çfarë do dhe pikërisht atje ku do dhe se Ai mund të bëj gjithçka që do.
27 prill-mbrëmje
“Zoti është mbret përjetë.”
{#Psalmi 10:16}
Jezu Krishti nuk është pretendues despotik i autoritetit hyjnor, por Ai është me të vërtetë i Vajosuri i Zotit! “Sepse Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia.” Perëndia i ka dhënë Atij çdo pushtet dhe çdo autoritet. Si Biri i njeriut, Ai është tani kreu i gjithçkaje për kishën e Tij dhe mbretëron mbi parajsë, mbi tokë dhe ferr, me çelësat e jetës dhe vdekjes në brezin e Tij. Disa princa janë kënaqur të quhen mbretër me anë të vullnetit popullor dhe me siguri se Zoti ynë Jezu Krisht është i tillë në kishën e Tij. Nëse do të votohej për të qenë Mbret në kishë, çdo zemër besimtare do ta kurorëzonte Atë. Oh sikur ta kurorëzonim më lavdishëm akoma! Asgjë që do të lavdëronte Krishtin nuk do të shkonte më kot.
Vuajtja do të ishte kënaqësi dhe humbja fitim, nëse me anë të këtyre do të mund të rrethonim ballin e Tij me kurora më të shndritshme, dhe ta bënim më të lavdishëm në sytë e njerëzve dhe engjëjve. Po, Ai do të mbretërojë. Jetë të gjatë Mbretit! Tungjatjeta Mbret Jezus! Dilni përpara ju shpirtra të pastër që doni Zotin tuaj, përkuluni nën këmbët e Tij, shtroni udhën e Tij me zambakët e dashurisë suaj, dhe trëndafilat e mirënjohjes suaj: “sillni diademën mbretërore, dhe kurorëzoheni Mbret të gjithçkaje.” Për më tepër, Zoti ynë Jezus është Mbret në Sion me autoritetin e një sunduesi; Ai ka marrë dhe pushtuar me sulm zemrat e njerëzve të Tij dhe ka vrarë armiqtë e tyre që i mbanin në skllavëri mizore. Në Detin e Kuq të gjakut të Tij, Shpëtimtari ynë ka mbytur faraonin e mëkateve tona; A nuk do të jetë vallë Mbret në Jeshurun? Ai na ka çliruar prej zgjedhës së hekurt dhe mallkimit të rëndë të ligjit; a nuk do të kurorëzohet Çlirimtari? Ne jemi risku i Tij, të cilin Ai e ka hequr prej dorës së amoreut me shpatën dhe harkun e Tij; kush do ta rrëmbejë vallë fitoren nga duart e Tij? Tungjatjeta Mbret Jezus! Me hare e pranojmë pushtetin tënd të butë! Sundo në zemrat tona përherë, Ti Princ i dashur i Paqes.
28 prill-mëngjes
“Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën më ke bërë të kem shpresa.”
{#Psalmi 119:49}
Cilado qoftë nevoja jote e veçantë, mund të gjesh menjëherë ndonjë premtim në Bibël që i përshtatet nevojës tënde. A je i ligështuar dhe i dobët për shkak se udha jote është e ashpër dhe se je i lodhur? Këtu është premtimi—”Ai i jep forcë të lodhurit.” Kur lexon një premtim të tillë, dërgoja Premtuesit të madh dhe kërkoi që ta përmbushë fjalën e Tij. A po kërkon Krishtin dhe ke etje për një shoqërim më të ngushtë me Të? Ky premtim shkëlqen si një yll mbi ty—”Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.” Dërgoje premtimin te froni vazhdimisht; mos ki asnjë argument tjetër mbrojtës, por shko te Perëndia përsëri dhe përsëri me këtë—”Zot, Ti e ke thënë, bëj siç ke thënë.” A je i pikëlluar për shkak të mëkatit dhe i ngarkuar me një barrë të rëndë të shkeljeve të tua? Dëgjo këto fjalë—”Unë, pikërisht Unë, jam Ai që për hir të vetvetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t`i mbaj mend mëkatet e tua.”
Nuk ke meritë në vetvete për t’u mbrojtur me qëllim që Ai të të falë, por merr në mbrojtje zotimet e Tij të shkruara dhe Ai do t’i zbatojë ato. A ke frikë se nuk do të mund të durosh deri në fund, se mos mbasi e ke menduar veten një fëmijë të Perëndisë, në fund del një i përjashtuar? Nëse kjo është gjendja jote, merr me vetë këtë fjalë hiri për te froni dhe përdore për mbrojtjen tënde: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria Ime nuk do të largohet prej teje.” Nëse ke humbur ndijimin e ëmbël të pranisë së Shpëtimtarit dhe po e kërkon Atë me një zemër të pikëlluar, kujto premtimet: “Kthehuni tek Unë dhe Unë do të kthehem tek ju;” “të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh.” Gostit besimin tënd me vetë Fjalën e Perëndisë dhe cilado qofshin frikërat ose nevojat e tua, shko rregullisht te Banka e Besimit me kartëmonedhën e Atit tënd, duke thënë, “mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën më ke bërë të kem shpresa.”
28 prill-mbrëmje
“Tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.”
{#Ezekiel 3:7}
A nuk ka vallë përjashtime? Jo,as dhe një. Edhe populli i favorizuar është i përshkruar po njësoj. A janë më të mirët kaq të këqij?—atëherë si duhet të jetë më i keqi? Eja zemra ime, merr në konsideratë se sa shumë ke pjesë në këtë aktakuzë universale dhe ndërsa e konsideron, ji i gatshëm të të vijë turp nga vetja jote për çka mund të jesh fajtor. Akuza e parë është paturpësia, ose ballë i fortë, një mungesë e turpit të shenjtë dhe guxim i mallkuar në ligësi. Përpara kthimit tim në besim, mund të mëkatoja dhe të mos ndjeja as dhe një brejtje ndërgjegje, mund të dëgjoja në lidhje me mëkatin tim dhe prapëseprapë të qëndroja i papërulur dhe madje edhe të rrëfeja shkeljen time duke mos shfaqur asnjë përulje të brendshme për shkak të tij. Që një mëkatar të shkojë te shtëpia e Perëndisë dhe të pretendojë t’i lutet Atij dhe ta lavdërojë, kjo tregon një pafytyrësi të pacipë të llojit më të keq! Sa keq! Që prej ditës së rilindjes sime e kam dyshuar Zotin tim ballë për ballë, kam murmuritur pa u skuqur në praninë e Tij, kam adhuruar përpara Tij në një mënyrë të shkapërderdhur dhe kam mëkatuar pa vajtuar për shkak të mëkatit.
Nëse balli im nuk do të ishte si një diamant, më i ngurtë se silici, do të kisha pasur më tepër frikë të shenjtë dhe një trishtim fryme shumë më të thellë. Mjerë unë, i përkas shtëpisë së paturp të Izraelit. Akuza e dytë është kryeneçësia e zemrës dhe nuk guxoj dot të procedoj i pafajshëm këtu. Një herë nuk pata asgjë përveçse një zemër guri, dhe edhe pse me anë të hirit kam tani një zemër mishi dhe të re, shumë prej kryeneçësisë së mëparshme mbetet akoma. Nuk jam prekur prej vdekjes së Jezusit ashtu siç duhet; po ashtu nuk jam prekur ashtu siç duhet nga rrënimi i të afërmit tim, nga ligësia e kohërave, nga qortimet e Atit tim qiellor dhe prej vetë dështimeve të mia. Oh zemra ime u shkriftë prej tregimit të vuajtjeve dhe vdekjes së Shpëtimtarit tim. Dashtë Perëndia që ta heqë qafe këtë gurë mulliri përbrenda meje, këtë trup të urryeshëm të vdekjes. I bekuar qoftë emri i Zotit se sëmundja nuk është e pashërueshme, gjaku i çmuar i Shpëtimtarit është zemërzbutësi universal dhe mua, po edhe mua, do të më zbusë efektshmërisht, derisa zemra ime të shkrijë si dyllë para zjarrit.
29 prill-mëngjes
“Ti je streha ime në ditën e fatkeqësisë.”
{#Jeremia 17 :17}
Shtegu i të krishterit nuk është përherë i shndritshëm me rreze dielli; ai ka periudhat e tij të errësirës dhe të stuhisë. Është e vërtetë, është e shkruar në Fjalën e Perëndisë, “rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja;” dhe është një e vërtetë e madhe se besimi është i llogaritur t’i japë njeriut lumturi në këtë botë po ashtu si dhe lumni në botën tjetër, por përjetimi na thotë se nëse ecja e të drejtit është “si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më shumë deri sa të bëhet ditë e plotë,” prapëseprapë ndonjëherë ajo dritë është e eklipsuar. Në disa periudha, retë mbulojnë diellin e besimtarit dhe ai ecën në errësirë dhe nuk shikon dritë. Ka shumë që janë gëzuar në praninë e Perëndisë për një farë periudhe; ata janë ngrohur nën rrezet e diellit në fazat më të hershme të ecurisë së tyre të krishterë; ata kanë ecur përgjatë “kullotave me bar të njomë”, pranë “ujërave që të çlodhin”, por papritur qielli i lavdishëm mbulohet me re; në vend të tokës së Goshenit iu duhet të shkelin një shkretëtirë, në vend të ujërave të ëmbël, gjejnë ujëra të turbulluar, të hidhur për shijen e tyre dhe thonë, “me siguri nëse do të isha një fëmijë i Perëndisë, kjo nuk do të ndodhte.” Oh! mos thuaj kështu, ti që po ecën në errësirë.
Më i miri i shenjtorëve të Perëndisë duhet që të pijë pelin; më i shtrenjti i fëmijëve të Tij duhet që të mbajë kryqin. Asnjë i krishterë nuk ka gëzuar begati të përhershme; asnjë besimtar nuk mund të luajë harpën përherë. Ndoshta Zoti të caktoi në fillim një shteg të sheshtë dhe pa re, sepse ishe i dobët dhe i ndrojtur. Ai e zbuti erën për qengjin e njomë, por tani që je më i fortë në jetën shpirtërore, duhet që të hysh në përjetimin më të ashpër dhe më të pjekur të bijve të rritur të Perëndisë. Kemi nevojë për erëra dhe stuhi për të ushtruar besimin tonë, për të këputur degën e kalbur të vetë-varësisë dhe për të na rrënjosur më fort në Krisht. Dita e së ligës na zbulon vlerën e shpresës sonë të lavdishme.
29 prill-mbrëmje
“Zoti kënaqet me popullin e Tij.”
{#Psalmi 149 :4}
Sa gjithëpërfshirëse është dashuria e Jezusit! Nuk ka asnjë pjesë të interesave të njerëzve të Tij që Ai nuk merr në konsideratë, dhe nuk ka asgjë në lidhje me mirëqenien e tyre që nuk është e rëndësishme për Të. Jo vetëm që Ai mendon për ty besimtar, si një qenie e pavdekshme, por si një qenie e vdekshme gjithashtu. Mos e moho këtë as mos e dysho: “madje edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara.” “Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur Atij i pëlqejnë rrugët e tij.” Do të ishte një gjë e trishtueshme për ne, nëse ky mantel dashurie nuk do të mbulonte të gjitha çështjet tona, sepse përndryshe çfarë dëmi do të pësonim në atë pjesë që nuk do të ishte nën kontrollin e Zotit tonë të hirshëm! Besimtar, ji i siguruar se zemra e Jezusit përkujdeset për punët e tua më të vogla. Gjerësia e dashurisë së Tij të butë është e tillë sa mund t’i drejtohesh Atij në të gjitha çështjet, sepse në të gjitha pikëllimet e tua Ai është i pikëlluar dhe ashtu si një at ka mëshirë për fëmijën e tij po ashtu Ai ka mëshirë për ne.
Interesat më të vogla të gjithë shenjtorëve të Tij janë të gjitha të mbajtura në kraharorin e gjerë të Birit të Perëndisë. Oh, çfarë zemre është e Tij, që jo vetëm përfshin gjithë popullin e Tij, por përfshin gjithashtu punët e panumërta dhe të ndryshme të gjithë këtyre njerëzve! A ta merr mendja vallë, o i krishterë, se mund të masësh dashurinë e Krishtit? Mendo se çfarë të solli dashuria e Tij—justifikim, adoptim, shenjtërim, jetë të përjetshme! Pasuritë e mirësisë së Tij janë të pahulumtueshme; kurrë nuk do të mundesh t’i tregosh ose madje edhe t’i përfytyrosh. Oh, gjerësia e dashurisë së Krishtit! A do të ketë një dashuri si kjo veç gjysmën e zemrave tona? A do të ketë një dashuri të ftohtë në kthim? A do të ketë si përgjigje zemërdashuria e mrekullueshme dhe përkujdesja e butë e Jezusit, një përgjigje të mekur dhe mirënjohje të vonuar? O shpirti im, akordo harpën tënde për një këngë të hareshme falënderimi! Shko në prehje duke u gëzuar, sepse nuk je shtegtar i vetmuar, por një fëmijë i dashur, i ruajtur, i përkujdesur, i furnizuar dhe i mbrojtur prej Zotit tënd.
30 prill-mëngjes
“Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin.”
{#Numrat 14:2}
Ka murmuritje tani midis të krishterëve, ashtu si në kampin e Izraelit një herë e një kohë. Ka nga ata që mbasi fshikulla godet, klithin kundra ndreqjes hyjnore. Ata pyesin, “pse jam kështu i pikëlluar? Çfarë kam bërë vallë që po ndreqem në këtë mënyrë?” Kam një fjalë me ty, ti që murmurin! Pse vallë duhet të murmurisësh kundra ndreqjeve të Atit tënd qiellor? A mund të të trajtojë më rëndë se sa e meriton? Merr në konsideratë se çfarë rebeli ishe më përpara, por Ai të ka falur! Me siguri, nëse në urtësinë e Tij i duket e përshtatshme tani të të ndreqë, nuk duhet që të ankohesh. Fundi i fundit, a je i goditur aq rëndë sa e meritojnë mëkatet e tua? Merr në konsideratë korruptimin që është në kraharorin tënd dhe më pas a do habiteshe se fshikulla është kaq shumë e nevojshme për ta hequr atë? Vlerëso veten dhe dallo se sa shumë skorie është e përzier me arin tënd; dhe a të duket zjarri shumë i nxehtë për të pastruar aq shumë skorie sa ke? A nuk provon fryma jote rebele e krenare se zemra jote nuk është tërësisht e shenjtëruar?A nuk janë ato murmurima të kundërta me natyrën e nënshtruar të fëmijëve të Perëndisë? A nuk është e nevojshme ndreqja?
Por nëse do të murmuritje kundra ndreqjes, ki kujdes, se murmuritësve do t’i dalë akoma më keq. Perëndia gjithmonë ndreq fëmijët e Tij dy herë, nëse ata nuk e mbajnë goditjen e parë me durim. Por ta dish një gjë—”Ai nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.” Të gjitha ndreqjet e Tij janë të dërguara më dashuri për të të pastruar dhe për të tërhequr më afër Tij. Me siguri që nëse mund të dallosh dorën e Atit tënd, kjo gjë do të të ndihmojë të durosh ndreqjen me nënshtrim. “Sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen, në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t`ju trajtojë si bij.” “Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi.”
30 prill-mbrëmje
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e Tua, o Perëndi!”
{#Psalmet 139 :17}
Gjithëdija hyjnore nuk i jep asnjë ngushëllim mendjes të papërshpirtshme, por për fëmijën e Perëndisë është e mbushur plot e përplot me ngushëllim. Perëndia është gjithmonë duke menduar për ne, nuk e kthen kurrë mendjen prej nesh, na ka gjithmonë përpara syve të Tij; dhe kjo është pikërisht ajo që do të donim, sepse do të ishte e tmerrshme të ekzistoje edhe për një çast pa mbikëqyrjen e Atit tonë qiellor. Mendimet e Tij janë përherë të buta, të dashura, të urta, të kujdesshme, largpamëse dhe na sjellin përfitime të pallogaritshme, kështu që është një ëndje e veçantë t’i kujtosh. Zoti përherë mendonte për popullin e Tij, nga ku rrjedh zgjedhja e tyre dhe besëlidhja e hirit që kanë siguruar shpëtimin e tyre; Ai gjithmonë do të mendojë për ta, nga ku rrjedh dhe këmbëngulja e tyre përfundimtare me anë të cilës do të arrijnë të sigurtë në prehjen e tyre përfundimtare. Në të gjitha ecejaket tona vëzhgimi vigjilent i Ruajtësit të Përjetshëm është përherë e më shumë i ngulitur mbi ne—ne nuk endemi kurrë larg vështrimit të Bariut.
Në pikëllimet tona, Ai na vëzhgon pa pushim dhe as dhe një sëmbim nuk i shpëton; në punët tona të rënda, Ai vëren të gjithë lodhjen tonë dhe shkruan në librin e Tij të gjitha betejat e besnikëve të Tij. Këto mendime të Zotit na rrethojnë në gjithë shtigjet tona dhe depërtojnë pjesën më të thellë të qenies sonë. As dhe një nerv ose ind, valvul ose enë e organizmit të trupit tonë nuk mbetet pa kujdesin e Tij; të gjitha vogëlsirat e botës sonë të vogël mendohen prej Perëndisë të madh. Lexues i dashur, a është kjo e çmuar për ty? Atëherë bëje tënden. Kurrë mos u mashtro prej atyre të çmendurve filozofë që predikojnë një Perëndi pa personalitet dhe flasin për një materie vetë ekzistuese dhe e vetë mjaftueshme. Zoti jeton dhe mendon për ne, kjo është një e vërtetë tejet e çmuar për ne dhe nuk mund të na rrëmbehet dot. Interesimi i një fisniku për dikë vlerësohet kaq shumë sa mendohet se të bën të pasur; aq më tepër kur bëhet fjalë për Mbretin e Mbretërve! Nëse Zotin mendon për ne, gjithçka është mirë dhe ne mund të gëzohemi përherë.