1 qershor-mëngjes
“Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi:dita e parë.”
{#Zanafilla 1:5}
A ishte kështu edhe në fillim?A u nda koha në ditën e parë në dritë dhe errësirë?Atëherë nuk është çudi nëse kam gjithashtu edhe ndryshime në rrethanat e mia, nga mesdita e mbrothësisë në mesnatën e kundërshtisë. Përsa i përket shpirtit tim ai nuk do të ketë përherë shkëlqimin e mesditës. Në periudha të ndryshme më duhet që të vajtoj mungesën e gëzimeve të mia të mëparshme dhe të kërkoj Shumëtëdashurin tim gjatë natës. Prapëseprapë nuk kam për të mbetur vetëm sepse të gjithë të dashurve të Zotit i është dashur të këndojnë këngën me melodinë e përzier të gjykimit dhe të mëshirës, të sprovës dhe të çlirimit, të zisë dhe të kënaqësisë. Është caktim i Provanisë Hyjnore se dita dhe nata nuk do të pushojnë as në krijimin shpirtëror ose natyror derisa të kemi arritur tokën për të cilën është shkruar, “dhe atje natë nuk do të ketë.” Atë që Ati ynë qiellor cakton është e urtë dhe e mirë.
Atëherë, shpirti im, çfarë është më mirë për ty për të bërë? Mëso së pari të jesh i kënaqur me këtë rregull hyjnor dhe ji vullnetmirë, ashtu si Jobi, për të pranuar të keqen nga dora e Zotit ashtu si edhe të mirën. Mëso më pas që ecejaket e mëngjesit dhe të mbrëmjes të jenë gëzimi yt. Lavdëro Zotin për diellin e gëzimit kur ai lind dhe për zymtinë e natës që afrohet. Ka bukuri si në lindjen po ashtu dhe në perëndimin e diellit; këndo për këtë dhe lavdëro Zotin. Ashtu si bilbili, derdh notat e tua në çdo orë. Beso se nata është po aq e dobishme sa dita. Vesa e hirit bie bollshëm në natën e pikëllimit. Yjet e premtimit shkëlqejnë lavdishëm mes errësirës së brengës. Vazhdo shërbimin tënd nën çdo ndryshim. Nëse gjatë ditës kryefjala jote është mundi, gjatë natës ndërroje me fjalën vigjilencë. Çdo orë ka detyrën e saj,vazhdo në thirrjen tënde si shërbëtori i Zotit derisa sa Ai të shfaqet papritur në lavdinë e Tij. Shpirti im, nata jote e moshës se vjetër dhe vdekjes po afrohet, mos u tmerro, sepse është pjesë e ditës dhe Zoti ka thënë, “Unë do ta mbroj vazhdimisht.”
1 qershor-mbrëmje
“Do ta bëj shkretëtirën e tij si Edenin.”
{#Isaia 51:3}
Më duket sikur shoh në një vegim një shkretëtirë të egër, një shkretëtirë të tmerrshme dhe të madhe ashtu si Saharaja. Nuk shoh asgjë në të për të qetësuar syrin, rreth e përqark jam i lodhur me një vegulli të një rëre të shterpët dhe të nxehtë, e mbuluar me dhjetëra mijëra skelete të zbërdhulët njerëzish të shkretë që kanë dhënë shpirt në ankth, duke pasur humbur rrugën në hapësirën e pamëshirshme. Çfarë pamje e kobshme! Sa e tmerrshme! Një det rëre pa fund dhe pa oazë, një varrezë e zymtë për një racë të dëshpëruar! Mirëpo shiko dhe mrekullohu! Papritur,duke dalë prej rërës së djegur shoh një lule me emër dhe teksa rritet e lulëzon, lulëzimi përhapet—është një trëndafil dhe në anën e tij një zambak var boçën e tij të vogël dhe mrekullia e mrekullive!teksa aroma e atyre luleve përhapet, shkretëtira transformohet në një fushë të frytshme dhe kudo përqark lulëzon me bollëk.
I jepet lavdia e Libanit,shkëlqesia e Karmelit dhe Sharonit. Mos e quaj Sahara,quaje Parajsë. Mos fol për të më gjatë si lëndina e hijes së vdekjes sepse atje ku skeletet shtrihen të zbërdhulët në diell, pa shiko, shpallet një ringjallje dhe të vdekurit lart çohen, një ushtri e fuqishme, plot me jetë të pavdekshme. Jezusi është lulja me emër dhe prania e Tij bën gjithçka të re. Po ashtu, në çdo shpëtim vetjak mrekullia nuk është më e paktë. Atje tutje të shikoj, lexues i shtrenjtë, i hedhur poshtë, një foshnjë, i pambështjellë, i palarë, i ndotur me vetë gjakun tënd, i braktisur për të qenë ushqim për kafshët e egra. Mirëpo ja, një gur i çmuar është hedhur në gjirin tënd me anë të një dore hyjnore dhe për hir të tij je mëshiruar dhe ruajtur prej provanisë hyjnore, je larë dhe pastruar prej fëlliqjes tënde, je adoptuar në familjen qiellore, vula e hijshme e dashurisë është mbi ballin tënd dhe unaza e besnikërisë është në dorën tënde—tani je një princ për Perëndinë, edhe pse njëherë jetim, i braktisur. Oh, çmo shumë fuqinë dhe hirin e pashoq që ndryshon shkretëtirat në kopshte dhe e bën zemrën e djerrë të këndojë me gëzim.
2 qershor-mëngjes
“Sepse mishi ka dëshira kundër Frymës,dhe Fryma ka dëshira kundër mishit.”
{#Galatët 5:17}
Në zemrën e çdo besimtari ka një betejë të vazhdueshme midis natyrës së vjetër dhe të resë. Natyra e vjetër është shumë aktive dhe nuk humb asnjë rast për të vënë në punë të gjitha armët e armëtores së saj vdekjeprurëse kundra hirit të sapolindur ndërsa nga ana tjetër, natyra e re është përherë vigjilente për t’i rezistuar dhe për të shkatërruar armikun e saj. Hiri përbrenda nesh do të përdorë lutjen, besimin, shpresën dhe dashurinë për të flakur jashtë të ligën. Ai vesh “gjithë armët e Perëndisë” dhe lufton me këmbëngulje.
Këto dy natyra kundërshtare nuk do të sosin kurrë të luftojnë për aq gjatë sa do të jemi në këtë botë. Beteja e “të krishterit” me “Apolonin” zgjati tre orë, por beteja e të krishterit me veten e tij zgjati përgjatë gjithë rrugës deri në lumin Jordan. Armiku është kaq me siguri i fortifikuar përbrenda nesh sa nuk do të mund të shkulet jashtë kurrë ndërsa ne jemi në këtë trup, por edhe pse jemi shumë të mësymur dhe shpesh në konflikt të madh, kemi një Ndihmës të Plotfuqishëm, po, Jezusin, Kapitenin e shpëtimit tonë, i Cili është përherë me ne dhe që na siguron se do të dalim më shumë se fitimtare me anë Tij. Me një ndihmesë të tillë natyra e re është më se e barabartë me armiqtë e saj. A je duke luftuar me kundërshtarin sot? A janë satani, bota dhe mishi, të gjithë kundra teje? Mos u lësho në zemër dhe mos u tut. Vazhdo të luftosh! Sepse vetë Perëndia është me ty; Jehovah Nisi është flamuri yt dhe Jehovah Rofi është shëruesi i plagëve të tua. Mos druaj, do të dalësh fitimtar, sepse kush mund ta mposhtë Plotfuqinë? Vazhdo të luftosh, “duke shikuar te Jezusi” dhe edhe sikur konflikti të jetë i ashpër dhe i gjatë, e ëmbël do të jetë fitorja dhe i lavdishëm shpërblimi i premtuar.
“Nga forca në forcë ec përpara;
Përleshu, lufto dhe lutu,
Dërrmo gjithë fuqitë e errësirës,
Fito betejën këtë ditë.”
2 qershor-mbrëmje
“Mjeshtër i mirë.”
{#Mateu 19 :16}
Nëse i riu në ungjill ndërsa i foli Zotit tonë përdori këtë titull, aq më shumë me vend do t’i drejtohesha unë në këtë mënyrë! Ai është me të vërtetë Mjeshtri im në të dy kuptimet, një Mjeshtër me autoritet dhe një Mjeshtër mësimdhënës. Kam ëndje të madhe të kryej porositë e Tij dhe të ulem nën këmbët e Tij. Jam shërbëtori dhe dishepulli i Tij dhe e quaj nderin tim më të madh të kem këtë karakter të dyfishtë. Nëse Ai do të më pyeste pse e quaj “të mirë,” do të kisha një përgjigje të menjëhershme. Është e vërtetë se “vetëm njëri është i mirë, Perëndia”, mirëpo Ai është Perëndi dhe e gjithë mirësia e hyjnisë shndrit në Të. Në përjetimin tim, më është dukur i mirë, kaq i mirë, me të vërtetë, sa të gjithë të mirën që kam, ka ardhur në mua përmes Tij. Ai ishte i mirë me mua kur isha i vdekur në mëkat, sepse Ai më ngjalli me anë të fuqisë së Frymës së Tij. Ai ka qenë i mirë me mua në të gjitha nevojat, sprovat, përpjekjet dhe pikëllimet e mia.
Nuk mund të ketë kurrë një Mjeshtër më të mirë sepse shërbimi për Të është liri, autoriteti i Tij dashuri: do të doja të isha sa e njëmijta pjesë një shërbëtor po aq i mirë. Kur Ai më mëson si Rabi im, Ai është i mirë në mënyrë të pashprehshme, doktrina e Tij është hyjnore, mënyrat e Tij janë begenisëse, fryma e Tij është vetë butësia. Asnjë gabim nuk përzihet me udhëzimin e Tij—E vërteta e artë që Ai shpreh është e pastër dhe të gjitha mësimet e Tij shpien në mirësi, duke shenjtëruar si dhe duke ndërtuar dishepullin. Për engjëjt është një Mjeshtër i mirë dhe ata kanë ëndje t’i bëjnë homazhe në stolin e këmbëve të Tij. Të shenjtët e hershëm e provuan si një Mjeshtër i mirë dhe secili prej ngazëllente duke kënduar, “O Zot, jam shërbëtori yt !” Vetë dëshmia ime e përulur me siguri që do të ketë të njëjtën pasojë. Do të jap dëshmi përpara shokëve dhe të afërmve të mi me qëllim që mundësisht ata të shtyhen me anë të dëshmisë sime të kërkojnë Zotin tim Jezus si Mjeshtrin e tyre. Oh sikur të bënin kështu! Nuk do pendoheshin kurrë për një vepër të tillë kaq të urtë. Nëse veçse të merrnin zgjedhën e Tij të lehtë, do t’i dukej një shërbim kaq mbretëror sa do të regjistronin emrin e tyre nën shërbimin e Tij përherë.
3 qershor-mëngjes
“Ata ishin poçarë dhe banonin mes barërave dhe gardheve;banonin aty bashkë me mbretin dhe ishin në shërbim të tij.”
{#1Kronika 4:23}
Poçarët nuk ishin shkalla më e lartë e punëtorëve por “mbreti” kishte nevojë për poçarë dhe prandaj ata ishin në shërbimin mbretëror edhe pse materiali që punonin nuk ishte gjë tjetër përveç argjilës. Ne, gjithashtu, mund të bëjmë pjesën më të vockël të veprës së Zotit por ama është një privilegj i madh të bësh diçka për “mbretin”; dhe prandaj ne do të mbesim në thirrjen tonë, duke shpresuar se “edhe nëse kemi mbetur për të pushuar ndër vathë, ne jemi si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta.” Teksti na flet për ata që banojnë midis barërave dhe gardheve, duke pasur punë fshati, punë të rëndë për të bërë. Ata mund të kenë dëshiruar të jetojnë në qytet, mes rafinimit, shoqërisë dhe jetës së tij, por ata ruajtën vendin që u ishte caktuar sepse në të njëjtën kohë po bënin edhe punën për mbretin.
Vendi i banimit tonë është i përcaktuar dhe nuk duhet të lëvizim prej tij prej tekës dhe kapriços por duhet të kërkojmë t’i shërbejmë Zotit aty, duke qenë një bekim për ata mes të cilëve qëndrojmë. Këta poçarë dhe kopshtarë patën shoqërim mbretëror sepse ata banonin “bashkë me mbretin” edhe pse midis barërave dhe gardheve, ata banonin aty me mbretin. Asgjë vend i duhur, ose kohëzënie e hirshme, sado e vogël qoftë, nuk mund të na përjashtojë prej shoqërimit me Zotin tonë hyjnor. Duke vizituar kasolle, shtëpi të tejmbushura, kampe pune, ose burgje, ne mund të shkojmë bashkë me mbretin. Në të gjitha veprat e besimit ne mund të shpresojmë në shoqërinë e Jezusit. Kur jemi në veprën e Tij atëherë mund të mbështetemi në buzëqeshjen e Tij. Ju, punëtorë të panjohur që jeni të zënë për Zotin tuaj mes pisllëkut dhe poshtërsisë së më të poshtërve të më të ndyrëve, merrni zemër, sepse më parë gurë të çmuar janë gjetur mbi kapica plehu, vazo prej dheu kanë qenë mbushur me thesar qiellor dhe barëra të këqija kanë qenë shndërruar në lule të çmuara. Qëndro me Mbretin për veprën e Tij dhe kur Ai do të shkruajë kronikat e Tij emri yt do të shënohet.
3 qershor-mbrëmje
“E përuli Vetveten.”
{#Filipianëve 2:8}
Jezusi është mësuesi i madh i përulësisë së zemrës. Kemi nevojë përditë të mësojmë prej Tij. Shiko Mjeshtrin tek merr peshqirin dhe tek pastron këmbët e dishepujve të Tij! Ndjekës i Krishtit, a nuk do ta përulesh vallë vetveten? Shikoje Atë si Shërbëtorin e shërbëtorëve dhe me siguri ti nuk mund të jesh krenar! A nuk është kjo fjali përmbledhja e biografisë së Tij, “E përuli Vetveten?”A nuk ishte Ai në tokë gjithmonë duke zhveshur së pari një rrobe nderi dhe më pas një tjetër, derisa, i zhveshur, u mbërthye në kryq dhe atje a nuk zbrazi vallë gjithë veten e Tij duke derdhur gjakun e Tij, duke u dhënë për ne të gjithë, derisa e vunë pa as dhe një kacidhe në një varr të huazuar? Sa poshtë që u soll Shpëtimtari ynë i shtrenjtë! Si mund të jemi ne pra vallë krenarë? Qëndro në këmbën e kryqit dhe numëro pikat e purpurta me anë të cilave je pastruar; shiko kurorën me gjemba; vështro supet e Tij të rrahura me kamxhik, akoma duke nxjerrë vijëza gjaku kërmëz; shiko duart dhe këmbët të dorëzuara hekurit të fortë dhe gjithë veten e Tij dorëzuar talljes dhe përçmimit; shiko hidhërimin dhe thumbimet dhe grahmat e dhembjes se përbrendshme të shfaqura në pamjen e Tij të jashtme; dëgjo klithmën drithëruese, “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”
Dhe nëse nuk bie i shtrirë mbi tokë përpara atij kryqi, atëherë nuk e ke parë kurrë Atë; nëse nuk je përulur në praninë e Jezusit, nuk e njeh Atë. Ishe kaq i humbur sa asgjë nuk mund të shpëtojë përveçse flijimi i të Vetëmlindurit të Perëndisë. Mendo për këtë dhe ashtu si Jezusi u ul për ty, përkule veten në përulësi në këmbët e Tij. Një ndijim i dashurisë së mrekullueshme të Krishtit për ne, ka një prirje më të madhe për të na përulur se sa edhe ndërgjegjësimi për vetë fajin tonë. Zoti na sjelltë në soditjen e Kalvarit, atëherë pozicioni ynë nuk do të jetë më ai i një njeriu krenar pompoz por do marrim vendin e përulur të dikujt që do shumë sepse i është falur shumë. Krenaria nuk mund të jetojë poshtë kryqit. Le të ulemi atje dhe të mësojmë mësimin dhe më pas të ngrihemi dhe ta zbatojmë atë.
4 qershor-mëngjes
“Mirësia e Perëndisë Shpëtimtarit tonë dhe dashuria e Tij.”
{#Titi 3:4}
Sa e ëmbël është të vështrosh Shpëtimtarin duke pasur bashkësi me vetë popullin e Tij të dashur! Nuk mund të ketë asgjë më të kënaqshme se sa, me anë të Frymës Hyjnore, të udhëhiqesh në këtë fushë pjellore ëndjeje. Për një çast mendja le të marrë parasysh historinë e dashurisë së Shpëtimtarit dhe një mijë vepra dashurie të mrekullueshme do të flisnin vetë, të cilat që të gjitha kanë pasur si qëllim thurjen e zemrës në Krishtin dhe ndërthurjen e mendimeve dhe emocioneve të shpirtit të ripërtëritur me mendjen e Jezusit. Kur përsiatim mbi këtë dashuri të mrekullueshme dhe vështrojmë Dhëndrin e gjithëlavdishëm të kishës duke dhënë si prikë gjithë pasurinë e Tij të hershme, shpirtrat tanë me vend do zaliseshin prej gëzimit. Kush është ai që mund të përballojë një peshë të tillë dashurie? Atë ndijim të pjesshëm që Fryma e Shenjtë ndonjëherë i pëlqen të japë është më shumë se sa shpirti mund të përmbajë; sa rrëmbyese duhet të jetë një pamje e plotë e saj!
Kur shpirti do të ketë kuptim për të dalluar të gjitha dhuratat e Shpëtimtarit, urtësi për t’i vlerësuar dhe kohë për të përsiatur mbi to, ashtu si bota e ardhshme do ta bëjë të mundur këtë gjë, atëherë ne do të kemi shoqëri me Jezusin në një mënyrë më të afërt se sa në të tashmen. Mirëpo kush mund të përfytyrojë ëmbëlsinë e një bashkësie të tillë? Duhet të jetë një prej gjërave që nuk kanë hyrë në zemrën e njeriut por që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë. Oh, të hapësh vrullshëm portën e hambarëve të Jozefit tonë dhe të shikosh bollëkun që Ai ka mbledhur për ne! Kjo gjë do të na pllakosi me dashuri. Me anë të besimit, ne shikojmë mjegullt, ashtu si në një pasqyrë, pamjen e pasqyruar të thesareve të Tij të pakufi por në çastin kur do të shikojmë me të vërtetë vetë gjërat qiellore, me vetë sytë tanë, sa e thellë do të jetë rryma e shoqërimit në të cilën shpirti ynë do lahet! Deri atëherë sonatat tona më me zë do të ruhen për mirëbërësin tonë të dashur,Jezu Krishtin, Zotin tonë,dashuria e Të Cilit për ne është e mrekullueshme, kaluar dashurisë së gruas.
4 qershor-mbrëmje
“U mor lart në lavdi.”
{#1 Timoteu 3 :16}
Ne kemi parë Zotin tonë të Shumëdashur në ditët e shfaqjes në mish, të poshtëruar dhe i fyer rëndë sepse Ai “u përçmua dhe u hodh poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes.” Ai, shkëlqimi i të Cilit është si mëngjesi,veshi thesin e pikëllimit si rrobën e Tij të përditshme :turpi ishte manteli i Tij dhe poshtërimi ishte veshja e Tij. Edhe tani, meqenëse Ai triumfoi mbi drurin e përgjakur ndaj pushteteve të errësirës, besimi ynë vështron Mbretin tonë duke u kthyer me rroba të ngjyrosura prej Edomit, i veshur në shkëlqimin e fitores. Sa i lavdishëm do të ketë qenë nën sytë e serafinëve kur një re e mori jashtë shikimit të syrit të vdekshëm dhe Ai u ngjit lart në qiell! Tani Ai vesh lavdinë që pati me Perëndinë përpara se toka të ekzistonte dhe prapëseprapë një tjetër lavdi mbi të gjitha—atë që Ai fitoi me meritë në luftën kundër mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Si fitimtar Ai mban kurorën e shkëlqyer.
Dëgjo se si vjen kënga kreshendo! Është një këngë e re dhe më e ëmbël : “I denjë është Qengji që u ther dhe na bleu për Perëndinë me gjakun e Tij.” Ai mban lavdinë e një Ndërmjetësi që nuk mund të dështojë kurrë, të një Princi që nuk mund të mposhtet kurrë, të një Ngadhënjyesi që ka mundur çdo armik, të një Zoti që ka zemërzotimin e çdo subjekti. Jezusi vesh të gjithë lavdinë që madhështia e qiellit mund t’i përkushtojë, që dhjetë mijë dhjetëra mijë engjëj mund t’i japin. Nuk është e mundur edhe me gjithë shtrirjen e përfytyrimit të marrësh me mend madhërinë e Tij të jashtëzakonshme; prapëseprapë do të ketë një zbulim më të plotë të kësaj kur Ai do të zbresë prej qiellit me pushtet të madh, me gjithë engjëjt e shenjtë—”Atëherë Ai do të ulet në fronin e lavdisë së Vet.” Oh, shkëlqimi i asaj lavdie! Do të rrëmbejë zemrat e njerëzve të Tij. Po ashtu, ky nuk do të jetë fundi, sepse përjetësia do të bëj të dëgjohet lavdërimi i Tij, “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi!” Lexues, nëse do të doje të gëzoheshe në lavdinë e Jezusit në të ardhmen, Ai duhet që të jetë i lavdishëm nën sytë e tu tani. A është Ai kështu?
5 qershor-mëngjes
“Zoti i mbylli brenda.”
{#Zanafilla 7:16}
Noeu u mbyll larg prej gjithë botës me anë të dorës së dashurisë hyjnore. Porta e qëllimit zgjedhës ndërhyn midis nesh dhe botës që është në të ligun. Ne nuk i përkasim botës po ashtu si edhe Zoti ynë Jezus nuk ishte i botës. Nuk mund të marrim pjesë në mëkatin, haretë dhe zbavitjet e shumicës; nuk mund të dëfrehemi në rrugët e panairit të kotësisë me fëmijët e errësirës sepse Ati ynë qiellor na ka mbyllur brenda. Noeu u mbyll brenda me Perëndinë e Tij. “Hyr në arkë,” ishte ftesa e Zotit, me anë të cilës Ai me qartësi tregoi se Vetë Ai kishte ndërmend të banonte në arkë me shërbëtorin e Tij dhe familjen e Tij. Kështu, të gjithë të zgjedhurit banojnë në Perëndinë dhe Perëndia në ta. Lum njeriu që është i qarkuar në të njëjtin rreth që përmban Perëndinë në Trinitetin e personave të Tij, Atin, Birin,dhe Frymën. Le të mos jemi kurrë të pavëmendshëm ndaj asaj thirrje të hirshme, “shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.”
Noeu u mbyll që asgjë e ligë të mos ta arrinte. Ujërat nuk bënë gjë tjetër veçse e ngritën lart drejt qiellit dhe erërat veçse e shtynë përpara në shtegun e tij. Jashtë arkës gjithçka ishte rrënojë, por përbrenda gjithçka ishte prehje dhe paqe. Pa Krishtin ne vdesim por në Krishtin Jezus ka siguri të përkryer. Noeu ishte i mbyllur në mënyrë të tillë që të mos mund as të dëshironte të dilte jashtë dhe ata që janë në Krishtin Jezus janë në Të përjetë. Ata nuk do të shkojnë më jashtë përjetë sepse besnikëria e përjetshme i ka mbyllur dhe dashaligësia djallëzore nuk mund t’i tërheqë jashtë. Princi i shtëpisë së Davidit mbyll dhe asnjë njeri nuk hap dhe kur në ditët e fundit, duke qenë i zoti i shtëpisë, Ai do të ngrihet dhe do të mbyllë derën, do të jetë e kotë për të ashtuquajtur besimtarë të trokasin dhe të thërrasin Zot, Zot, na e hap, sepse e njëjta derë që mbyll brenda të virgjërat e urta do të mbyllë jashtë të ato të pamend përjetë. Zot, më mbyll brenda me anë të hirit Tënd.
5 qershor-mbrëmje
“Ai që nuk ka dashuri,nuk e njeh Perëndinë.”
{#1 Gjoni 4:8}
Shenja dalluese e një të krishteri është mirëbesimi i tij në dashurinë e Krishtit dhe dashuria e tij në kthim për Krishtin. Së pari, besimi vë vulën e tij mbi njeriun duke e mundësuar shpirtin të thotë bashkë me apostullin, “Krishti më deshi dhe dha jetën e Tij për mua.” Më pas dashuria kundërfirmos dhe shtyp në kthim mbi zemrën mirënjohje dhe dashuri për Jezusin. “Ne e duam, sepse Ai na deshi ne më parë.” Në ato kohëra të vjetra të lavdishme që janë periudha heroike të besimit të krishterë, kjo shenjë e dyfishtë me siguri që shikohej qartë në të gjithë besimtarët në Jezus. Ata ishin njerëz që e njihnin dashurinë e Krishtit dhe preheshin mbi të ashtu si një njeri mbështetet mbi bastunin e tij, besueshmërinë e të cilit ai e ka provuar.
Dashuria që ata ndjenë ndaj Zotit nuk ishte një emocion i qetë i fshehur përbrenda vetes në dhomën sekrete të shpirtrave të tyre dhe për të cilën flisnin vetëm në asambletë e tyre private kur takoheshin ditën e parë të javës dhe kur këndonin himne në nder të Krishtit Jezus të kryqëzuar, por ishte për ta një pasion kaq i zjarrtë dhe energji gjithëkonsumuese sa ishte e dukshme në të gjitha veprimet e tyre, e shprehur në përditshmërinë e tyre dhe e dalluar në sytë e tyre edhe në shikimet më të zakonshme. Dashuria ndaj Jezusit ishte një flakë që dilte nga thelbi dhe zemra e qenies së tyre dhe prandaj, për shkak të kësaj fuqie të madhe, çante rrugën me forcë, shfaqej jashtë dhe shkëlqente. Zelli për lavdinë e Mbretit Jezus ishte vula dhe shenja e të gjithë të krishterëve të vërtetë. Për shkak të varësisë së tyre mbi dashurinë e Krishtit ata guxuan shumë dhe për shkak të dashurisë ndaj Krishtit ata bënë shumë dhe tani është e njëjta gjë. Fëmijët e Zotit janë të sunduar në fuqitë e tyre më të thella prej dashurisë—dashuria e Krishtit i shtrëngon ata. Ata gëzohen se dashuria hyjnore është e vendosur mbi ta, ata e ndjejnë të përhapur në zemrat e tyre me anë të Frymës së Shenjtë që u është dhënë dhe atëherë me anë të forcës të mirënjohjes ata duan Shpëtimtarin e tyre me një zemër të pastër, me zjarrmi. Lexuesi im, a e do Atë? Përpara se të flesh jepi një përgjigje të ndershme kësaj pyetjeje me peshë!
6 qershor-mëngjes
“Ja jam i ulët.”
{#Jobi 40 :4}
Kam një fjalë të gëzueshme për ty o i gjori mëkatar i humbur! Mendon se nuk duhet të vish te Perëndia sepse je i ulët. Tani, nuk ka as dhe një të shenjtë që jeton mbi tokë që nuk është bërë të ndjehet i ulët. Nëse Jobi, Isaia dhe Pali, të gjithë ishin të detyruar të thonin “Jam i ulët,” o mëkatar i shkretë, a do të vinte turp të bashkoheshe në të njëjtin rrëfim? Nëse hiri hyjnor nuk shkul të gjithë mëkatin prej besimtarit, si vallë shpreson ta bësh ti vetë? Nëse Perëndia i do njerëzit e Tij ndërsa ata janë akoma të ulët, a mendon se pavlefshmëria jote do ta pengoje të të dojë? Beso në Jezusin, ti i flakuri i shoqërisë së kësaj bote! Jezusi të thërret dhe ashtu siç je.
“Jo të drejtin,jo të drejtin ;
Mëkatarët,Jezusi erdhi të thërrasë.”
Madje që tani thuaj, “Ti ke vdekur për mëkatarët; jam një mëkatar, Zoti Jezus, spërkat gjakun Tënd mbi mua;” Nëse do të rrëfesh mëkatin tënd, do të gjesh faljen. Nëse, tani, me gjithë zemrën tënde, do të thuash, “Jam i fëlliqur, më laj,” do të lahesh tani. Nëse Fryma e Shenjtë do të të mundësojë të klithësh prej zemrës tënde,
Ashtu siç jam, pa justifikim
Me gjakun Tënd derdhur për mëkatin tim,
Dhe se Ti më fton të vij te Ty qëmotit,
Erdha O Qengj i Zotit !
do të ngrihesh prej leximit të kësaj pjese mëngjesi me të gjitha mëkatet e tua të falura; edhe pse u zgjove këtë mëngjes me çdo mëkat në kokën tënde që njeriu mund të ketë bërë ndonjëherë, sonte do të prehesh i pranuar në Shumëtëdashurin; edhe pse një herë i zvetënuar me rreckat e mëkatit, do të zbukurohesh me një rrobe drejtësie dhe do të paraqitesh i bardhë ashtu siç janë dhe engjëjt. Sepse “tani,” “tani është koha e volitshme.” Nëse “beson në Atë që shfajëson të paperëndishmin, je i shpëtuar.” Oh! Fryma e Shenjtë të dhëntë besim shpëtimtar në Atë që pranon më të fëlliqurin.
6 qershor-mbrëmje
“Janë hebrenj ?Edhe unë hebre jam.”
{#2 Korintasve 11 :22}
Ne këtu kemi një PRETENDIM PERSONAL dhe i tillë që ka nevojë të provohet. Apostulli e dinte se pretendimi i tij ishte i pakundërshtueshëm, por ka shumë njerëz që nuk kanë të drejtë ndaj titullit dhe që prapëseprapë pretendojnë se i përkasin Izraelit të Perëndisë. Nëse jemi duke shpallur me mirëbesim, “edhe unë hebre jam,” le ta themi veçse mbasi të kemi shqyrtuar zemrat tona si në praninë e Perëndisë. Mirëpo nëse mund të provojmë se po ndjekim Jezusin, nëse mund të themi prej zemrës, “i besoj Atij tërësisht, i besoj vetëm Atij, i besoj Atij thjesht, i besoj Atij tani, i besoj Atij përherë,” atëherë pozicioni që të shenjtët e Perëndisë mbajnë, na përket neve—të gjitha gëzimet e tyre janë zotërimet tona; ne mund të jemi më të vegjlit në Izrael, “më të vegjlit nga të gjithë shenjtorët,” prapëseprapë përderisa mëshirat e Perëndisë i përkasin të shenjtëve SI TË SHENJTË, dhe jo si të shenjtë të përparuar, ose të shenjtë të mirëmësuar, ne mund të shprehim pretendimin dhe të themi, “janë hebrenj? Edhe unë hebre jam, prandaj premtimet e Perëndisë janë të miat, hiri është imi, lavdia do të jetë imja.”
Pretendimi me vend,do të japë një ngushëllim shumë të madh. Kur njerëzit e Perëndisë po gëzohen se ata i përkasin Atij, çfarë lumturie nëse ata mund të thonë, “PO ASHTU DHE UNË!” Kur ata flasin se janë të falur, të shfajësuar dhe të pranuar në Shumëtëdashurin, sa e gëzueshme të përgjigjesh, “Falë hirit të Perëndisë, PO ASHTU DHE UNË.” Mirëpo ky pretendim nuk ka vetëm gëzimet dhe privilegjet e tij, por gjithashtu edhe kushtet dhe detyrat e tij. Ne duhet të ndajmë me njerëzit e Perëndisë si renë ashtu dhe shkëlqimin e diellit. Kur dëgjojmë se flitet për ta me përçmim dhe përqeshje se janë të krishterë, ne duhet të dalim përpara me guxim dhe të themi, “PO ASHTU DHE UNË.” Kur i shikojmë duke punuar për Krishtin, duke i dhënë Krishtit kohën, talentin, gjithë zemrën e tyre, ne duhet të jemi të aftë të themi, “PO ASHTU DHE UNË.” Oh, le të provojmë mirënjohjen tonë me anë të përkushtimit tonë dhe të jetojmë si ata që duke pretenduar se kanë një privilegj janë të vullnetshëm të marrin përgjegjësinë e lidhur me të.
7 qershor-mëngjes
“Ju që e doni Zotin urreni të keqen.”
{#Psalmi 97 :10}
Ke arsye të mira për të “urryer të keqen,” sepse veçse merr në konsideratë çfarë dëmi të ka bërë tashmë. Oh, sa shumë të këqija të ka sjellë mëkati në zemër! Mëkati të verboi kështu që nuk mund të shikoje bukurinë e Shpëtimtarit; të shurdhoi kështu që nuk mund të dëgjoje ftesat e dashura të Shlyesit. Mëkati udhëhoqi këmbën tënde në udhën e vdekjes dhe derdhi helm deri në thelbin e qenies tënde; ai fëlliqi zemrën tënde dhe e bëri “të gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe të sëmuret në mënyrë të pashërueshme.” Oh, çfarë krijese që ishe kur e keqja bëri sa mundi me ty, përpara se hiri hyjnor të ndërhynte! Ishe një trashëgimtar i zemërimit ashtu si të tjerët; vrapoje me të vërtetë me shumicën për të bërë të keqen.
Të tillë ishim ne të gjithë, por Pali na kujton, “ju u latë, u shenjtëruat, u shfajësuat në emrin e Zotit Jezus Krisht dhe në Frymën e Perëndisë sonë.” Me të vërtetë që kemi arsye të mira për të urryer të ligën kur shikojmë mbrapa dhe dallojmë veprat e saj vdekjeprurëse. Të tillë dëm na bëri e liga sa shpirtrat tanë do të kishin humbur po të mos kishte ndërhyrë dashuria e plotfuqishme për ta na shpëtuar. Edhe tani është një armik aktiv,përherë duke qenë vigjilent për të na dëmtuar dhe për të na tërhequr në shkatërrim. Prandaj “urreni të keqen,” o të krishterë, nëse nuk dëshironi trazira. Nëse do të donit ta mbulonit shtegun tuaj me gjemba dhe të vendosnit thëngjij në jastëkun e vdekjes atëherë lini pas dore “urrejtjen e të keqes,” por nëse do të donit të jetoni një jetë të lumtur dhe të vdisni në paqe atëherë ecni në të gjitha shtigjet e shenjtërisë, duke urryer të ligën deri në fund. Nëse e doni me të vërtetë Shpëtimtarin tuaj dhe do të donit ta nderonit, atëherë “urreni të keqen.” Nuk njohim asnjë mjekim ndaj dashurisë për të ligën për një të krishterë ashtu si shoqërimi i bollshëm me Zotin Jezus. Qëndro shumë me Të dhe është e pamundur për ty të jesh në paqe me mëkatin.
“Fjala Jote,hapat e mia të rregullojë,
Dhe zemrën time bëje të sinqertë;
Zot, Mos lër mëkatin të sundojë,
Por ruaje ndërgjegjen time të kthjelltë.”
7 qershor-mbrëmje
“Ji i zellshëm.”
{#Zbulesa 3:19}
Nëse do të doje të shikoje shpirtra të kthyer në besim, nëse do të doje të dëgjoje thirrmën se “mbretëritë e kësaj bote janë bërë mbretëritë e Zotit tonë;” nëse do të doje të vije kurora mbi kokën e Shpëtimtarit dhe të ngrije lart fronin e Tij, atëherë mbushu me zell, sepse, nën Perëndinë, mënyra e kthimit në besim të botës duhet të jetë me anë të zellit të kishës. Çdo hir do të bëj bëma, por zelli duhet të jetë i pari; kujdesi, njohuria, durimi dhe kuraja do të ndjekin pas sipas vendit të tyre por zelli duhet të udhëheqë në ballë. Nuk është shtrirja e njohurisë tënde edhe pse e dobishme; nuk është shtrirja e talentit tënd edhe pse nuk duhet të përçmohet; është zelli yt ai që do të kryejë bëma të mëdha. Ky zell është fryti i Frymës së Shenjtë: ai e tërheq forcën e tij jetësore prej veprimeve të vazhdueshme të Frymës së Shenjtë në shpirt. Nëse jeta jonë e përbrendshme rrëgjohet, nëse zemra jonë rreh ngadalë përpara Perëndisë, nuk do të njohim zellin, por nëse gjithçka është e fortë dhe e fuqishme përbrenda atëherë nuk mund veçse të ndjejmë një ankth të dashur për të parë ardhjen e mbretërisë së Krishtit dhe vullnetin e Tij të kryer në tokë ashtu si edhe në qiell.
Një ndijim i thellë mirënjohjeje do të ushqejë zellin e krishterë. Duke parë gropën prej së cilës u nxorëm, gjejmë arsye të bollshme pse duhet të shpenzojmë dhe të shpenzohemi për Perëndinë dhe zelli është i nxitur gjithashtu prej mendimit të së ardhmes së përjetshme. Ai shikon me sy të përlotur poshtë te flakët e ferrit dhe nuk mund të dremisë: shikon lart me vështrim të ankthshëm te lavditë e qiellit dhe nuk mund veçse të vihet në lëvizje. Ai ndjen se koha është e shkurtër e krahasuar me punën që është për t’u bërë dhe prandaj i përkushton gjithçka që ka kauzës së Zotit. Ai është përherë i forcuar prej kujtimit të shembullit të Krishtit. Ai u vesh me zell si me një mantel. Sa shpejt që lëviznin rrotat e detyrës me Të! Ai nuk njohu vonesë gjatë rrugës. Le të provojmë se jemi dishepujt e Tij duke shfaqur të njëjtën Frymë zelli.
8 qershor-mëngjes
“Në të vërtetë shumë njerëz ranë të vrarë, sepse këtë luftëe kishte dashur Perëndia.”
{#1Kronika 5 :22}
Luftëtar,ti që lufton nën flamurin e Zotit Jezus, lexoje këtë varg me gëzim të shenjtë sepse ashtu siç ishte në ditët e hershme po ashtu është dhe tani, nëse lufta është e Perëndisë, fitorja do të jetë e sigurtë. Bijtë e Rubenit, Gaditët dhe gjysma e fisit të Manasit me zor mblodhën dyzet e pesë mijë luftëtarë dhe prapëseprapë në luftë me Hagarenët ata therën “burra, një qind mijë,” “sepse gjatë betejës i thirrën Perëndisë, që e dëgjoi lutjen e tyre, sepse ata kishin pasur besim tek Ai.” Zoti nuk shpëton me shumë por me pak; na përket ne të shkojmë përpara në emrin e Jehovait edhe nëse jemi veçse një dorë njerëzish sepse Zoti i Ushtrive është me ne si Kapiteni ynë.
Ata nuk lanë pas dore mburojën, shpatën dhe harkun, po ashtu ata nuk e vendosën besimin e tyre në këto armë; ne duhet të përdorim të gjitha mjetet e përshtatshme, por mirëbesimi ynë duhet të prehet vetëm në Zotin sepse Ai është shpata dhe mburoja e popullit të Tij. Arsyeja e madhe e suksesit të tyre të jashtëzakonshëm qëndron në faktin se “lufta ishte e Perëndisë.” Të dashur, duke luftuar me mëkatin jashtë dhe përbrenda, me gabimin doktrinal ose praktik, me ligësinë shpirtërore në vendet e larta ose të ulëta, me djajtë dhe aleatët e djajve, ju jeni duke bërë luftën e të Përjetshmit dhe përderisa Ai nuk mund të mposhtet, nuk duhet të druani disfatën. Mos u tulat përpara numrit më të madh, mos u mrrudh prej vështirësive ose pamundësive, mos e lësho veten përpara plagëve ose vdekjes; godit me shpatën me dy tehe të Frymës dhe të vrarët do shtrihen kapicë. Beteja është e Zotit dhe Ai do të dorëzojë armiqtë e Tij në duart tona. Me këmbë të palëkundshme, dorë të fortë, zemër të patrembur dhe zell të zjarrtë, vërsulu në betejë dhe ushtritë e së ligës do të përhapen si byku përpara stuhisë.
Në këmbë! Në këmbë për Jezusin !
Konflikti nuk do zgjasë;
Këtë ditë zhurma e betejës
Tjetrën, kënga e fitores:
Atij që mposht
Do t’i jepet një kurorë jete;
Ai me Mbretin e lavdisë
Do mbretëroje përjetë.
8 qershor-mbrëmje
“Tani do të shikosh nëse fjala ime do të shkojë në vend apo jo?” {#Numrat 11 :23}
Perëndia i pati bërë një premtim të sigurtë Moisiut se për një periudhë një mujore do të ushqente me mish kampin e madh në shkretëtirë. Moisiu, i mposhtur prej një ngërçi mosbesimi shikon të mjetet e jashtme dhe nuk di se si vallë mund të përmbushet premtimi. Ai pa te krijesa në vend të Krijuesit, por a pret Krijuesi që krijesa të përmbushë premtimin për Të? Jo; Ai që bën premtimin, përherë e përmbush atë, me vetë plotfuqishmërinë e Tij dhe pa ndihmën e askujt. Nëse Ai flet, është e kryer—e bërë prej Tij. Premtimet e Tij nuk varen për përmbushjen e tyre prej bashkëpunimit të fuqisë së vocërr të njeriut.
Ne mund ta dallojmë menjëherë gabimin që bëri Moisiu dhe prapëseprapë sa zakonisht që ne bëjmë të njëjtin gabim! Perëndia ka premtuar të plotësojë nevojat tona dhe ne shikojmë te krijesa për të bërë atë që Perëndia ka premtuar të bëjë; dhe atëherë, sepse e shikojmë se krijesa është e dobët dhe e paktë, i jepemi mosbesimit. Pse shikojmë vallë nga ajo anë? A do të kërkoje vallë në polin e veriut për fruta që duan diell? Me siguri që nuk do të veproje më me çmenduri se kaq ndërsa shikon te i dobëti për forcë dhe te krijesa për të bërë punën e Krijuesit. Atëherë le ta bëjmë pyetjen në drejtimin e duhur. Mbështetja e besimit nuk është te mjaftueshmëria e mjeteve të dukshme për përmbushjen e premtimit por te gjithëmjaftueshmëria e Perëndisë të padukshëm, i Cili me shumë siguri do të bëjë ashtu si ka thënë. Mbasi kemi parë qartë se zgjidhja e problemit vjen prej Zotit dhe jo prej krijesës dhe guxojmë të mosbesojmë, pyetja e Perëndisë na drejtohet fuqishëm : “Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta?” Ndodhtë gjithashtu, në mëshirën e Tij, që bashkë me pyetjen të vetëtijë në shpirtrat tonë ajo deklaratë e bekuar, “Tani do të shikosh nëse fjala ime do të shkojë në vend apo jo?”
9 qershor-mëngjes
“Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.” {#Psalmi 126 :3}
Disa të krishterë janë për fat të keq të prirur të shikojnë anën e errët të çdo gjëje dhe të zgjaten më shumë në atë që kanë kaluar se sa në atë që Perëndia ka bërë për ta. Pyet për përshtypjen e tyre të jetës së krishterë dhe ata do të përshkruajnë konfliktet e tyre të vazhdueshëm, pikëllimet e tyre të thella, kundërshtitë e tyre të trishtueshme dhe mbrapshtinë e zemrave të tyre, megjithatë rrallë gjen ndonjë aluzion për mëshirën dhe ndihmën që Perëndia u ka dhënë. Mirëpo, një i krishterë, shpirti i të cilit është në një gjendje të shëndetshme, do të shfaqet përpara me gëzim dhe do të thotë, “Do të flas jo për veten time, por në nder të Perëndisë. Ai më ka nxjerrë prej gropës së tmerrshme, jashtë llagëmit dhe ka vënë këmbët e mia mbi një shkëmb, më ka forcuar dhe ka vënë një këngë të re në gojën time, një këngë lavdie për Perëndinë tonë.
Zoti ka bërë gjëra të mëdha për mua dhe jam i gëzuar.” Një përmbledhje përjetimi si kjo është gjëja më e mirë që një fëmijë i Perëndisë mund të paraqesë. Është e vërtetë se kalojmë sprova, por është po aq e vërtetë se jemi të çliruar prej tyre. Është e vërtetë se kemi korruptimet tona dhe me vajtim e dimë këtë gjë, por është po aq e vërtetë se kemi një Shpëtimtar të gjithëmjaftueshëm, që mposht këto korruptime dhe na çliron prej pushtetit të tyre. Duke shikuar mbrapa do të ishte e gabuar të mohonim faktin se kemi qenë në Batakun e Dëshpërimit dhe jemi zvarritur në Lëndinën e Poshtërimit, por do të ishte gjë e keqe të harronim se i kemi kapërcyer këto pa dëm dhe me përfitim; nuk kemi mbetur në to, falë Ndihmësit dhe Udhëheqësit tonë të Plotfuqishëm, i Cili na ka sjellë “jashtë në një vend të freskët.” Sa më të thella trazirat tona, aq më me zë të lartë falënderimet tona Perëndisë që na ka udhëhequr përmes gjithë këtyre gjërave dhe na ka ruajtur deri tani. Dhembjet tona nuk mund të prishin melodinë e lavdërimeve tona, ne i konsiderojmë ato si pjesa bas e këngës së jetës sonë, “Ai ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.”
9 qershor-mbrëmje
“Kërkoni në shkrimet.”
{#Gjoni 5 :39}
Fjala greke këtu e përkthyer kërko, do të thotë një kërkim kureshtar, të zellshëm, të imtë dhe të përpiktë ashtu si njerëzit bëjnë kur kërkojnë ar ose gjahtarët kur ndjekin gjahun pa e lënë të marrë frymë. Ne nuk duhet të jemi të kënaqur me një lexim sipërfaqësor të një a dy kapituj por me fenerin e Frymës duhet që me nge të kërkojmë domethënien e fshehur të fjalës. Shkrimi i Shenjtë nevojit hulumtim—shumë prej Tij mund të mësohet vetëm me anë të një studimi të kujdesshëm. Ka qumësht për të sapolindurit por edhe mish për njerëzit e fortë. Rabinët me urtësi thonë se një mal me thelb varet në çdo fjalë, po, në çdo titull të Shkrimit. Tertuliani thërret, “e adhuroj plotësinë e Shkrimeve.” Asnjë njeri që thjesht kalon përciptas librin e Perëndisë nuk mund të nxjerrë përfitim prej tij; ne duhet të gërmojmë dhe rrëmojmë derisa të fitojmë thesarin e fshehur. Porta e fjalës hapet vetëm me çelësin e zellit. Shkrimet kërkojnë të kërkohen. Ato janë shkrimet e Perëndisë, duke mbajtur vulën dhe lejen e botimit hyjnor—kush do të guxojë vallë t’i trajtojë me mendjelehtësi?
Ai që i përçmon ato përçmon Perëndinë që i shkroi. Mos e dhëntë Perëndia që ndonjë nga ne të lejojë që Biblat tona të bëhen dëshmitarë të menjëhershme kundra nesh në ditën e madhe kur do të japim llogari. Fjala e Perëndisë do të shpërblejë kërkimin. Perëndia nuk na fton të shoshitim një mal byku për një kokërr gruri këtu ose aty por Bibla është grurë i shoshitur—nuk kemi veçse të hapim portën e hambarit dhe ta gjejmë atë. Shkrimi rritet para syve të nxënësit. Ai është plot surpriza. Nën mësimin e Frymës së Shenjtë, për syrin hulumtues ai ndrit me shkëlqimin e zbulesës, ashtu si një tempull i madh i shtruar me ar të punuar dhe i mbuluar me çati rubini, smeraldesh dhe çdo lloj guri të çmuar. Nuk ka mall si ai malli i të vërtetës së Shkrimit. Së fundmi, Shkrimet zbulojnë Jezusin : “Dhe pikërisht ato dëshmojnë për mua.” Asnjë motiv më i fuqishëm nuk mund t’i vihet në dukje lexuesve të Biblës se sa ky: Ai që gjen Jezusin gjen jetën, parajsën, të gjitha gjërat. Lum ai që duke kërkuar Biblën, zbulon Shpëtimtarin e Tij.
10 qershor-mëngjes
“Jetojmë për Zotin.”
{#Romakëve 14:8}
Nëse Perëndia do ta kishte dashur, secili prej nesh mund të kishte hyrë në qiell në çastin e kthimit në besim. Nuk ishte absolutisht e nevojshme që të mund të qëndronim këtu për përgatitjen tonë për pavdekësinë. Është e mundur për një njeri të merret lart në qiell dhe të gjendet i përgatitur për të qenë një pjesëmarrës i trashëgimisë së të shenjtëve në dritë, edhe pse sapo ka besuar në Jezus. Është e vërtetë se shenjtërimi ynë është një proces i vazhdueshëm dhe i gjatë dhe ne nuk do të përkryemi derisa të lëmë trupat tanë dhe të hyjmë brenda velit, por prapëseprapë po të kishte dashur kështu Zoti, Ai mund të na kishte ndryshuar prej papërkryerjes në përkryerje dhe të na kishte marrë në qiell menjëherë.
Atëherë pse jemi vallë këtu? A do të mbante Perëndia vallë fëmijët e Tij jashtë parajsës edhe një çast të vetëm më gjatë se sa do ishte e nevojshme? Pse është ushtria e Perëndisë të gjallë akoma në fushën e betejës atëherë kur një mësymje e vetme mund t’i japë fitoren? Pse fëmijët e Tij po bredhin akoma andej këndej mes një labirinti atëherë kur një fjalë e vetme prej buzëve të Tij do t’i sillte në qiell në qendrën e shpresave të tyre? Përgjigjja është–ata janë këtu që të mund të “jetojnë për Zotin” dhe të mund të sjellin të tjerë të njohin dashurinë e tyre. Ne qëndrojmë në tokë si mbjellës për të shpërndarë farë të mirë; si pendarë për të punuar tokën e palëvruar; si korrierë për të shpallur shpëtimin. Ne jemi këtu si “kripa e tokës,” për të qenë një bekim për botën. Ne jemi këtu për t’i dhënë lavdi Krishtit në jetën tonë të përditshme. Ne jemi këtu si punëtorë për Të dhe si “bashkëpunëtorë të Tij.” Le të kemi kujdes që jeta jonë t’i përgjigjet qëllimit të saj. Le të jetojmë jetë të shenjtë, të dobishme, të zellshme për “lavdërimin e hirit të Tij të lavdishëm.” Ndërkohë ne dëshirojmë me zjarr të jemi me Të dhe përditë këndojmë—
Zemra ime është me Të në fronin e Tij,
Dhe sëmundja mund të shkurtojë pritjen,
Çdo mëngjes duke dëgjuar për zërin,
“Ngrihu dhe eja.”
10 qershor-mbrëmje
“Dhe pikërisht ato dëshmojnë për mua.”
{#Gjoni 5:39}
Jezu Krishti është Alfa dhe Omega e Biblës. Ai është tema e vazhdueshme e faqeve të saj të shenjta; nga e para te e fundit ato dëshmojnë për Të. Në krijim, ne e dallojmë menjëherë Atë si një nga personat e Trinitetit të shenjtë. Kemi një shikim të Tij në premtimin e farës së gruas; e shikojmë të simbolizuar në arkën e Noeut; ecim me Abrahamin teksa ai sheh ditën e Mesias; banojmë në tendat e Isakut dhe Jakobit, duke u ushqyer me premtimin e hirshëm; dëgjojmë Izraelin e moçëm të flasë për Shilon dhe në simbolet e shumta të ligjit gjejmë bollshëm hijen e Shpëtimtarit. Profetë dhe mbretër, priftërinj dhe predikues, të gjithë shikojnë në një drejtim—ata të gjithë qëndrojnë ashtu si kerubinët mbi arkë, duke dëshiruar të shikojnë brenda dhe të këqyrin misterin e shlyerjes së madhe të Perëndisë.
Akoma më dukshëm në Dhiatën e Re, Zoti ynë është subjekti e gjithanshëm. Nuk është një shufër ari këtu ose atje, ose pluhur ari i shpërndarë imtas, por këtu ju qëndroni mbi një dysheme të fortë ari; sepse i gjithë thelbi i Dhiatës së Re është Jezusi i kryqëzuar dhe edhe fjalia e saj mbyllëse është e stolisur me emrin e Shpëtimtarit. Ne duhet gjithmonë të lexojmë Shkrimin në këtë dritë; duhet të konsiderojmë Fjalën si një pasqyrë në të cilën Krishti shikon poshtë prej qiellit; dhe ne, duke parë te ajo, shikojmë fytyrën e Tij të pasqyruar si në një qelq—turbullt, është e vërtetë, por sido që të jetë, në një mënyrë të tillë sa është një përgatitje e bekuar për ta parë Atë ashtu siç do ta shikojmë ballë për ballë. Ky volum përmban letrat e Jezus Krishtit për ne, të parfumosura me dashurinë e Tij. Këto faqe janë veshjet e Mbretit tonë dhe ato bien erë mirre, aloe dhe kajsie. Shkrimi është qerrja mbretërore në të cilën Jezusi kalëron dhe është i shtruar me dashuri për bijat e Jeruzalemit. Shkrimet janë shpërgënjtë e fëmijës së shenjtë Jezus; çmbështilli ato dhe gjen Shpëtimtarin. Esenca e Fjalës së Perëndisë është Krishti.
11 qershor-mëngjes
“Ne e duam sepse Ai na deshi ne më parë.”
{#1Gjoni 4 :19}
Nuk ka dritë në planet përveç asaj që vjen prej diellit dhe nuk ka dashuri të vërte të për Jezusin në zemër përveç asaj që vjen prej Vetë Zotit Jezus. Prej këtij burimi gufues të dashurisë së pafundme të Perëndisë, duhet të gjejë burimin e gjithë dashuria jonë për Perëndinë. Kjo duhet të jetë përherë një e vërtetë e sigurtë dhe e madhe se ne e duam Atë për asnjë arsye tjetër përveç asaj se Ai na deshi i pari. Dashuria jonë për Të është filizi i hijshëm i dashurisë së Tij për ne. Secili mund të ketë admirim të ftohtë, duke studiuar veprat e Perëndisë, por ngrohtësia e dashurisë mund të ndizet në zemër vetëm prej Frymës së Perëndisë. Sa habi e madhe që të tillë si ne, të mund të duam Jezusin! Sa e mrekullueshme që kur u rebeluam kundër Tij, Ai na kërkoi për të na kthyer, me anë të një shfaqje dashurie të tillë të papërshkrueshme. Jo! Kurrë nuk do të kishim pasur edhe një kokërr dashurie ndaj Perëndisë po të mos qe mbjellur brenda nesh me anë të farës së dashurisë së Tij për ne.
Dashuria, atëherë, e ka prejardhjen e saj prej dashurisë së Perëndisë të përhapur në zemër: por mbasi është e lindur kështu në mënyrë hyjnore, duhet të ushqehet në mënyre hyjnore. Dashuria është ekzotike; nuk është një bimë që do të lulëzojë natyrshëm në tokën njerëzore, duhet që të ujitet prej së larti. Dashuria për Jezusin është një lule e brishtë dhe nëse nuk merr ushqim përveç atij që mund të nxirret prej shkëmbit të zemrave tona, shpejt do të thahet. Ashtu si dashuria vjen prej qiellit po ashtu duhet të ushqehet me bukë qiellore. Nuk mund të ekzistojë në shkretëtirë përveçse nëse ushqehet me manë prej së larti. Dashuria duhet të ushqehet me dashuri. Vetë shpirti dhe jeta e dashurisë sonë për Perëndinë është dashuria e Tij për ne.
“Të dua, Zot, por jo me dashuri timen.
Sepse nuk kam asgjë për të dhënë;
Të dua Zot, por e gjitha dashuria është e Jotja,
Sepse me anë të dashurisë Tënde jetoj.
Nuk jam asgjë dhe gëzohem të jem
I zbrazur, i humbur dhe i gëlltitur në Ty.”
11 qershor-mbrëmje
“Këtu Ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës.”
{#Psalmi 76:3}
Klithma e lavdishme e Shpëtimtarit tonë “Gjithçka u krye,” ishte kambana e vdekjes e të gjithë kundërshtarëve të popullit të Tij, copëtimi i shigjetave të harkut, mburojës dhe shpatës së luftës. “Shiko heroin e Golgotës duke përdorur kryqin si një kudhër dhe vuajtjet e Tij si një çekiç, duke bërë copë copë dengun e mëkateve tona, ato “shigjeta të harkut” të helmuara; duke zënë poshtë çdo fajësim dhe duke shkatërruar çdo akuzë. Çfarë goditjesh të lavdishme Thyesi i fuqishëm jep, me një çekiç shumë më të rëndë se sa arma mitologjike e Torit! Shikoni se si thumbat djallëzorë fluturojnë copa copa dhe shqytat e ferrit thyhen si enë prej baltë! Shikoni, Ai nxjerr prej millit të saj, punim i djallit, shpatën e kobshme me pushtet satanik!
Ai e thyen në gjunjët e Tij, ashtu si një njeri thyen drurin e thatë të një vandaku dhe e hedh në zjarr. Të dashur, asnjë mëkat i ndonjë besimtari nuk mund të jetë tani një shigjetë që ka për ta plagosur në mënyrë vdekjeprurëse, asnjë dënim nuk mund të jetë tani një shpatë për ta vrarë atë, sepse dënimi i mëkatit tonë u mbajt prej Krishtit, një shlyerje e plotë u krye për të gjitha shkeljet tona prej Zëvendësuesit dhe Sigurisë sonë të bekuar. Kush do të akuzojë vallë tani? Kush do të dënojë vallë tani? Krishti vdiq dhe për më tepër u ngjall. Jezusi ka zbrazur kukurën e ferrit, ka shuar çdo thumb të zjarrtë dhe ka copëtuar majën e çdo shigjete zemërimi; toka është e mbuluar me copëzat dhe reliktet e armëve të luftës së ferrit, të cilat janë tani të dukshme për të na kujtuar për rrezikun tonë të mëparshëm dhe për çlirimin tonë të madh. Mëkati nuk do të sundojë më te ne. Jezusi i ka dhënë fund dhe e ka hedhur tutje përjetë. O ti armik, shkatërrimet kanë përfunduar përjetësisht. Ju që zini në gojë emrin e Zotit, flisni për veprat e mrekullueshme të Tij, mos mbani qetësi, as gjatë ditës, as kur dielli perëndon. Beko Zotin o shpirti im.
12 qershor-mëngjes
“Ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.”
{#Danieli 5 :27}
Është mirë që të peshohemi në peshoren e Fjalës së Perëndisë. Do t’ju duket një ushtrim i shenjtë të lexoni ndonjë psalm të Davidit dhe teksa përsiatni mbi çdo varg, të pyesni veten, “A mund ta them këtë ?A e kam ndjerë ashtu si Davidi? A është thyer ndonjëherë zemra ime për shkak të mëkatit ashtu si ai ishte kur shkroi psalmet e tij si pendestar ?A ka qenë shpirti im plot me mirëbesim në orën e vështirësisë ashtu si ai ishte kur këndoi mëshirat e Perëndisë në shpellën e Adullamit, ose në fortesat e En-Gedit? A e ngre vallë kupën e shpëtimit dhe i drejtohem emrit të Zotit?” Më pas kthehuni tek jeta e Krishtit dhe teksa lexoni pyesni veten se sa shumë përputheni me shëmbëlltyrën e Tij. Përpiquni të zbuloni nëse keni butësinë, përuljen, Frymën e dashur që Ai vazhdimisht shfaqi dhe nguliti te të tjerët. Merrni më pas letrat dhe shikoni nëse mund të shkoni me apostullin në atë që ai tha me përvojë.
A keni klithur vallë ashtu si ai—”ç’njeri i mjerë jam! Kush do të më shpëtojë nga ky trup vdekje?” A e keni ndjerë ndonjëherë vetë uljen e tij? A ju është dukur vetja kreu i mëkatarëve dhe më i vogli prej të gjithë të shenjtëve? A keni njohur ndonjë gjë prej përkushtimit të tij? A mund të bashkoheni me të dhe të thoni, “për mua të jetosh është Krishti dhe të vdesësh është fitim?” Nëse e lexojmë kështu Fjalën e Perëndisë si një test për gjendjen tonë shpirtërore, do të kemi arsye të mirë për të ndalur shumë herë dhe të themi, “Zot, ndjej se nuk kam qenë kurrë këtu, oh më sill këtu! më jep pendim të vërtetë, ashtu siç lexoj këtu. Më jep besim të vërtetë; më jep zell më të ngrohtë; më ndiz me dashuri më të zjarrtë; më jep hirin e butësisë; më bëj më shumë si Jezusi. Mos lejo më gjatë që “të gjendem me mungesë,” kur peshohem në peshoret e shenjtores, me frikë se mos më mungon diçka në peshoret e gjykimit. “Gjykoni veten që të mos gjykoheni.”
12 qershor-mbrëmje
“Që na ka shpëtuar dhe na ka thirrur me një thirrje të shenjtë.”
{#2 Timoteut 1:9}
Apostulli përdor kohën e kryer të plotë dhe thotë, “Që na ka shpëtuar.” Besimtarët në Krishtin Jezus janë të shpëtuar. Ata nuk shikohen si njerëz që janë në një gjendje shpresëdhënëse dhe së fundmi mund të shpëtohen, por ato janë tashmë të shpëtuar. Shpëtimi nuk është një bekim për t’u gëzuar kur jemi duke dhënë shpirt dhe për t’i kënduar me gëzim për gjendjen e ardhshme lart në parajsë, por një gjë për t’u fituar, marrë, premtuar dhe gëzuar tani. I krishteri është përsosmërisht i shpëtuar sipas qëllimit të Perëndisë; Perëndia e ka caktuar atë për shpëtimin dhe ai qëllim është i përmbushur. Ai është gjithashtu i shpëtuar prej çmimit që është paguar për të: “Gjithçka u krye” ishte klithma e Shpëtimtarit përpara se të vdiste. Besimtari është gjithashtu përsosmërisht i shpëtuar prej kreut të Tij të besëlidhjes, sepse ashtu si ra në Adamin po ashtu jeton në Krishtin.
Ky shpëtim i plotë është i shoqëruar me një thirrje të shenjtë. Ata që Shpëtimtari shpëtoi mbi kryq, thirren në kohën e duhur për shenjtëri me anë të fuqisë së Perëndisë Frymës së Shenjtë: ata braktisin mëkatet e tyre; ata përpiqen të jenë si Krishti; ata zgjedhin shenjtërinë, jo për shkak të detyrimit, por prej forcës së natyrës se re që i shpie ata të gëzohen në shenjtëri po ashtu sa natyrshëm sa më parë kishin kënaqësi në mëkat. Perëndia as nuk i zgjodhi as nuk i thirri për shkak se ishin të shenjtë, por Ai i thirri që të jenë të shenjtë dhe shenjtëria është hijeshia e prodhuar prej veprës së Tij në ta. Përsosjet që shikojmë në një besimtar janë po aq vepër e Perëndisë sa edhe vetë shlyerja. Kështu del në pah shumë ëmbëlsisht plotësia e hirit të Perëndisë. Shpëtimi duhet të jetë prej hirit sepse Zoti është autori i Tij dhe çfarë motivi përveç hirit mund ta shtyjë Zotin vallë për të shpëtuar fajtorin? Shpëtimi duhet të jetë prej hirit sepse Zoti vepron në mënyrë të tillë që drejtësia jonë të përjashtohet përjetë. I tillë është privilegji i besimtarit—një shpëtim i tanishëm; e tillë është dëshmia se ai është i thirrur për të—një jetë e shenjtë.
13 qershor-mëngjes
“Kush dëshiron, le ta marrë falas,ujin e jetës.”
{#Zbulesa22 :17} “
Jezusi thotë, merrni falas.” Ai nuk dëshiron as ndonjë pagesë as ndonjë përgatitje. Ai nuk kërkon ndonjë lëvdim prej emocioneve tona virtuoze. Nëse nuk keni ndjenja të mira, por nëse jeni të vullnetshëm, jeni të ftuar; prandaj ejani! Nuk keni as besim as pendim, –ejani te Ai dhe Ai do t’ua japi. Ejani ashtu si jeni dhe merrni “Falas,” pa çmim dhe pa para. Ai i jep Veten nevojtarëve. Çezmat publike në cepat e rrugëve tona janë gjë me vlerë; dhe zor se do të përfytyronim ndonjërin të kishte frikë të shpenzonte, kur qëndron përpara njërës prej tyre dhe të thërrasë, “Nuk mund të pi sepse nuk kam asnjë lek në xhep.” Sado i varfër ai njeri të jetë, atje është burimi dhe ashtu siç është, ai mund të pijë prej tij. Udhëtarë të etur teksa kalojnë aty pranë, qofshin të veshur me basmë ose pëlhurë nuk pyesin për ndonjë autorizim për të pirë; ekzistenca e çezmës publike atje, është autorizimi i tyre për të pirë lirisht prej ujit të saj. Bujaria e disa miqve të mirë e ka vënë kristalin freskues aty dhe ne pijmë prej tij dhe nuk bëjmë pyetje.
Ndoshta të vetmit njerëz që duhet të largohen të etur prej rrugës së çezmës publike, janë zonjat dhe zotërinjtë elegantë që ndodhen në karrocat e tyre. Ata janë shumë të etur, por nuk mund as të mendojnë të jenë aq vulgar sa të dalin jashtë për të pirë. Ata mendojnë se do të ishte çnderuese të pinin në një çezme publike të përbashkët: kështu që ata kalojnë pranë me buzë të thara. Oh, sa shumë që ka që janë të pasur me vetë veprat e tyre të mira dhe prandaj nuk mund të vijnë të Krishti! “Nuk dua të shpëtohem,” thonë ata, “në të njëjtën mënyre si lavirja dhe blasfemuesi.” Çfarë! Të shkoj në parajsë në të njëjtën mënyrë si oxhakfshirësi. A nuk ka udhë tjetër për në lavdi përveç asaj që udhëhoqi atje keqbërësin? Nuk do të shpëtohem në atë mënyrë. Të tillë mburravecë krenarë duhet të qëndrojnë pa ujin e gjallë, por
KUSH DËSHIRON
LE TA MARRE FALAS, UJIN E JETËS.
13 qershor-mbrëmje
“Largo nga unë kotësinë dhe gënjeshtrën.”
{#Proverba 30 :8}
« Perëndia im, mos u largo nga unë.
{#Psalmi 38 :21}
Këtu ne kemi dy mësime të mëdha—çfarë të kërkojmë dhe çfarë të mos kërkojmë me përgjërim. Gjendja më e lumtur për një të krishterë është gjendja më e shenjtë. Ashtu siç ka më shumë nxehtësi sa më afër diellit, po ashtu ka më tepër lumturi sa më afër Krishtit. Asnjë i krishterë nuk gëzon ngushëllim kur sytë e tij janë të ngulitur në kotësi—ai nuk gjen ngushëllim nëse shpirti i tij nuk është i ngjallur në shtigjet e Perëndisë. Bota mund të fitojë lumturinë në një vend tjetër, por ai nuk mund. Nuk i qortoj njerëzit e paperëndishëm se vrapojnë për te kënaqësitë e tyre. E pse vallë ? Le të ngopen. Ajo është gjithçka që kanë për gëzim. Një grua e krishterë që dëshpërohej për riskun e burrit të saj, ishte gjithmonë shumë e mirë me të, sepse ajo thoshte, “Kam frikë se kjo është e vetmja botë në të cilën ai do të jetë i lumtur dhe prandaj e kam mbledhur mendjen ta bëj në të sa më të lumtur sa mundem.” Të Krishterët duhet të kërkojnë kënaqësitë e tyre në një sferë më të lartë se sa kotësitë pashije ose gëzimet mëkatare të botës.
Dëfrimet e kota janë të rrezikshme për shpirtrat e ripërtëritur. Kemi dëgjuar për një filozof i cili, ndërsa po shikonte yjet, ra në një gropë, por sa thellë bien ata që shikojnë poshtë. Rënia e tyre është fatale. Asnjë i krishterë nuk është i sigurtë kur shpirti i tij është i plogësht dhe Perëndia i Tij është larg prej tij. Çdo i krishterë është përherë i sigurtë përsa i përket qëndrimit të tij në Krisht por nuk është i sigurtë në lidhje me përjetimin e shenjtërisë dhe shoqërimin me Jezusin në këtë jetë. Kur i krishteri largohet prej Perëndisë të Tij, gati sa shpirtërisht nuk vdes nga uria dhe përpiqet të ushqehet me kotësi, atëherë djalli gjen orën e tij të epërsisë. Ndonjëherë ai hahet dhëmb më dhëmb me fëmijën e Perëndisë që është aktiv në shërbimin e Mjeshtrit të tij por beteja është në përgjithësi e shkurtër: ai që rrëshqet teksa shkon poshtë në Lëndinën e Poshtërimit, sa herë që bën një hap të gabuar, fton Apolonin ta sulmojë. Oh paçim hir shumë për të ecur me përulje me Perëndinë tonë!
14 qershor-mëngjes
“Gjej kënaqësinë tënde në Zotin.”
{#Psalmi 37:4}
Mësimdhënia e këtyre fjalëve duhet të duket shumë befasuese për ata që nuk e njohin përshpirtshmërinë jetësore, por për besimtarin e sinqertë është veçse ngulitja e një të vërtete të njohur. Jeta e besimtarit është e përshkruar këtu si një kënaqësi në Perëndinë dhe kështu që kemi vërtetimin e faktit të madh se feja e vërtetë gufon me lumturi dhe gëzim. Njerëzit e papërshpirtshëm dhe të ashtuquajturit besimtarë kurrë nuk e shikojnë besimin si një gjë të gëzueshme; për ta është shërbim, detyrë ose nevojshmëri, por kurrë kënaqësi ose ëndje. Nëse angazhohen në besim ndopak është ose që të nxjerrin fitim prej tij ose sepse nuk guxojnë të bëjnë ndryshe. Mendimi i kënaqësisë në besim është kaq i çuditshëm për shumicën e njerëzve sa asnjë togfjalësh në gjuhën e tyre nuk qëndrojnë aq larg njëra-tjetrës sa “shenjtëria” dhe “kënaqësia.”
Mirëpo besimtarët që njohin Krishtin e kuptojnë se kënaqësia dhe besimi janë kaq bekueshëm të bashkuar sa portat e ferrit nuk mund të arrijnë dot t’i ndajnë. Ata që e duan Perëndinë me gjithë zemrat e tyre, i duket se shtigjet e Tij janë shtigje kënaqësie dhe të gjitha udhët e Tij janë paqe. Të shenjtët zbulojnë në Zotin e tyre të tilla gëzime, të tilla kënaqësish të mbushura plot, të tilla bekueshmëri gufuese, sa nuk do t’i shërbenin thjesht se e kanë për zakon, por do të donin ta ndiqnin edhe sikur e gjithë bota ta hidhte poshtë emrin e Tij si të ligë. Ne nuk e druajmë Perëndinë për shkak të ndonjë detyrimi; besimi ynë nuk është zinxhir, besimshprehja jonë nuk është skllavëri, nuk jemi të tërhequr zvarrë në shenjtëri dhe as të shtrënguar në detyrë. Jo, përshpirtshmëria jonë është kënaqësia jonë, shpresa jonë është lumturia jonë, detyra jonë është ëndja jonë. Kënaqësia dhe besimi i vërtetë janë të bashkuara si rrënja dhe lulja; aq të pandara sa e vërteta dhe siguria; ato janë, në fakt, dy gurë të çmuar duke shkëlqyer krah për krah në një kornizë ari.
Është kur shijojmë dashurinë Tënde,
Që gëzimet tona rriten hyjnisht,
Të pashprehshëm si ato lart me ëndje
Këtu n’tokë parajsa gjendet fillimisht.
14 qershor-mbrëmje
“O Zot, turpi i fytyrës është për ne…sepse kemi mëkatuar kundër Teje.”
{#Danieli 9 :8}
Një ndijim i thellë dhe një pamje e qartë e mëkatit, shëmtia e tij dhe dënimi që meriton duhet të na bëjë të ulemi poshtë përpara fronit. Ne kemi mëkatuar si të krishterë. Sa keq që është kështu! Ashtu të favorizuar që kemi qenë, prapëseprapë kemi qenë mosmirënjohës; të privilegjuar ndaj shumë të tjerëve, nuk kemi dhënë fruta në përpjesëtim me privilegjet tona. Kush është ai, edhe pse ka filluar betejën e krishterë para shumë kohësh, që nuk do të skuqej kur shikon mbrapa të kaluarën? Përsa i përket ditëve përpara se të ripërtëriheshim, u falshin dhe u harrofshin, por që prej atëherë, edhe pse nuk kemi mëkatuar si më parë, prapëseprapë kemi mëkatuar kundër dritës dhe dashurisë—dritës që ka depërtuar me të vërtetë mendjet tona dhe dashurisë në të cilën jemi gëzuar. Oh, mizoria e mëkatit të një shpirti të falur!
Një mëkatar i pafalur mëkaton me çmim të lirë në krahasim me mëkatin e njërit prej të zgjedhurve të Perëndisë, që ka patur shoqërim me Krishtin dhe ka mbështetur kokën e tij mbi kraharorin e Jezusit! Shiko Davidin! Shumë do të flasin për mëkatin e tij, por ju lutem të shikoni pendimin e tij dhe të dëgjoni kockat e tij të thyera, teksa secila prej tyre bën rrëfim me dhimbje e rënkim! Vini re lotët e tij teksa bien mbi tokë dhe psherëtimat e thella me të cilat shoqëron melodinë e ëmbël të harpës së tij! Jemi hallakatur, prandaj, le të kërkojmë Frymën e pendimit. Shikoni përsëri Pjetrin! Ne flasim shumë për Pjetrin duke mohuar Mjeshtrin e tij. Kujtoni, është e shkruar, “ai qau me hidhërim.” A nuk kemi ne vallë mohime të Zotit tonë për t’u vajtuar me lot? Sa keq! Këto mëkatet tona, para dhe mbas kthimit në besim, do të na dërgonin në vendin e zjarrit të pashueshëm nëse nuk do të ishte për mëshirën sovrane që na ka bërë të ndryshojmë, duke na shpëtuar nga zjarri. Shpirti im, përkulu nën një ndijim të mëkatshmërisë tënde të natyrshme dhe adhuro Perëndinë tënd. Admiro hirin që të shpëton—mëshirën që të kursen—dashurinë që të fal!
15 qershor-mëngjes
“Dhe Sara tha: “Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua.”
{#Zanafilla 21:6}
Ishte krejtësisht përtej pushtetit të natyrës dhe madje kundër ligjeve të saj që Sara e moshuar të mund të nderohej me një djalë dhe po ashtu është përtej çdo rregulle të zakonshme që unë, një mëkatar i gjorë, i pashpresë dhe i rrënuar të mund të gjej hir për të mbajtur në shpirtin tim Frymën banuese të Zotit Jezus. Unë, që një herë e një kohë isha i dëshpëruar sepse natyra ime ishte e tharë, e vyshkur, e djerrë dhe e mallkuar si një shkretëtirë me angullima kafshësh, po, edhe unë, tani jam bërë që të sjell frute shenjtërie. Me vend goja ime do të mbushet me të qeshura të gëzueshme për shkak të hirit të veçantë e befasues që kam marrë prej Zotit, sepse kam gjetur Jezusin, farën e premtuar dhe Ai është imi përherë. Këtë ditë do të ngre psalme triumfi për Zotin tim që u kujtua për gjendjen time të ulët, sepse “zemra ime ngazëllohet në Zotin, forca ime ngrihet tek Zoti; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt.”
Do të doja që të gjithë ata që dëgjojnë për çlirimin tim prej ferrit dhe për vizitën time tepër të bekuar prej së larti të qeshin me mua. Do të befasoj familjen time me paqen time të bollshme; do të kënaq miqtë e mi me lumturinë time përherë në rritje; do të ndërtoj Kishën me rrëfimet e mia mirënjohëse dhe madje edhe do t’i lë mbresa botës me harenë e bisedave të mia të përditshme. Buniani na flet se Mëshira qeshi në gjumë e sipër dhe kjo nuk është për t’u habitur ndërsa ajo ëndërroi për Jezusin. Unë do të jem plot me gëzim atëherë kur i dashuri im është tema e mendimeve të mia të përditshme. Zoti Jezus është një det i thellë gëzimi:shpirti im do të zhytet aty, do të kridhet në kënaqësitë e shoqërisë së Tij. Sara shikoi Isakun e saj dhe qeshi me ngazëllim të madh dhe të gjithë miqtë e saj me të; po ashtu edhe ti shpirti im, shiko te Jezusi dhe fto qiellin dhe tokën të bashkohen në gëzimin tënd të pashprehshëm.
15 qershor-mbrëmje
“Të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë.”
{#Zbulesa 3:7}
Jezusi është ruajtësi i portave të parajsës dhe vë përpara çdo shpirti besimtar një derë të hapur që asnjë njeri ose djall nuk mund të jetë i aftë ta mbyllë. Çfarë gëzimi që është kur zbulon se besimi në Të është çelësi i artë i portave të përjetshme. Shpirti im, a e mban këtë çelës në kraharorin tënd apo po i beson ndonjë tjetri që në fund fare do të dështonte? Dëgjo këtë shëmbëlltyrë të predikuesit dhe mbaje mend atë. Mbreti i madh ngriti një banket dhe i shpalli të gjithë botës se asnjë nuk do të hyjë përveç atyre që sjellin lulen me të hijshme që lulëzon mbi tokë. Frymët e njerëzve afrohen te porta me mijëra dhe secili sjell lulen që e vlerëson si mbretëreshën e kopshtit, por në turmë ata largohen tutje prej pranisë mbretërore dhe nuk hyjnë në sallat festive. Disa mbajnë në duart e tyre helmarinën vdekjeprurëse të besëtytnisë ose lulëkuqet kapardisëse të Romës ose kukutë e vetë drejtësisë, por këto nuk janë të shtrenjta për Mbretin dhe prurësit lihen jashtë portave prej perlash.
Shpirti im, a ke mbledhur trëndafilin e Sharonit?A e mban vazhdimisht në gjirin tënd zambakun e lëndinës? Nëse po, kur të vish lart te portat e parajsës do të njohësh vlerën e tij sepse të duhet veçse të tregosh këtë më të përzgjedhurën lule dhe Derëtari do ta hapë; as dhe për një çast nuk do të pengoje hyrjen tënde sepse Derëtari përherë ia hap portën atij trëndafili. Do të gjesh udhën me trëndafilin e Sharonit në dorën tënde deri në vetë fronin e Perëndisë sepse vetë parajsa nuk zotëron asgjë që ia tejkalon bukurisë së tij rrëzëlluese dhe prej të gjitha luleve që lulëzojnë në parajsë nuk ka asnjë që mund të matet me zambakun e lëndinës. Shpirti im, merr në dorën tënde me anë të besimit trëndafilin e kuq të Kalvarit, mbaje me anë të dashurisë, ruaje me anë të shoqërimit, bëje gjithçkanë tënde në gjithçka me anë të vigjilencës së përditshme dhe do të bekohesh përtej çdo lumnie, do jesh më shumë i lumtur se në një ëndërr. Jezus, ji përherë imi, Perëndia im, parajsa ime, gjithçkaja ime.
16 qershor-mëngjes
“Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë.”
{#Gjoni 10:28}
I krishteri nuk duhet kurrë të mendojë apo të flasë me mendjelehtësi në lidhje me mosbesimin. Është tejet e pakëndshme për Perëndinë kur fëmija e Tij dyshon dashurinë, besimin dhe besnikërinë e Tij. A nuk do ta pikëllonim fort nëse do të dyshonim në hirin e Tij mbështetës? I krishterë! Është kundër çdo premtimi të Fjalës së çmuar të Perëndisë se do të harrohesh ose se do të humbasësh. Nëse mund të ishte kështu, si mund të jetë i vërtetë Ai që tha, “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.” Cila do të ishte vallë vlera e atij premtimi—”Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhembshuri për ty.”
Ku do të ishte vallë e vërteta e fjalëve të Krishtit—” Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.” Çfarë do të bëhej vallë me doktrinat e hirit? Të gjitha do të hidheshin poshtë nëse edhe një fëmijë i vetëm i Perëndisë do të humbiste. Ç’do bëhej me vërtetësinë e Perëndisë, nderin, fuqinë, hirin, besëlidhjen, betimin e Tij nëse ndonjëri prej atyre për të cilët Krishti vdiq dhe që kishin vënë besimin e tij në Të, prapëseprapë të mund të flakej tutje? Dëbo këto druajtje mosbesuese që çnderojnë Perëndinë kaq shumë. Ngrihu, ngrije veten prej pluhurit dhe vish rrobat e tua të bukura. Kujto se është e mëkatshme të dyshosh Fjalën e Tij në të Cilën të ka premtuar se nuk do të humbasësh kurrë. Jeta e përjetshme përbrenda teje u shprehtë në gëzim mirëbesues.
Ungjilli mban Frymën time lart,
Një Perëndi i pandryshueshëm besnik,
Vë themelin e shpresës sime,
Në betime, premtime dhe gjak.
16 qershor-mbrëmje
“Zoti është drita ime dhe shpëtimi im;nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime;nga kush do të kem frikë?”
{#Psalmi 27:1}
“Zoti është drita ime dhe shpëtimi im.” Këtu ka interes vetjak, “drita ime dhe shpëtimi im”; shpirti është i siguruar për këtë dhe prandaj e shpall me guxim. Në kohën e rilindjes, dritë hyjnore derdhet në shpirt si pararendësja e shpëtimit; atje ku nuk ka dritë mjaftueshëm për të zbuluar vetë errësirën tonë dhe për të na bërë të dëshirojmë me zjarr Zotin Jezus, nuk ka dëshmi shpëtimi. Mbas kthimit tonë në besim, Perëndia ynë është gëzimi, ngushëlluesi, udhërrëfyesi, mësuesi ynë dhe në çdo kuptim, drita jonë: Ai është dritë përbrenda, dritë përreth, dritë e pasqyruar prej nesh dhe dritë në zbulesë e sipër. Vëre se nuk thuhet thjesht se Zoti jep dritë, por se Ai është drita; po ashtu nuk thuhet se Ai jep shpëtimin, por se Ai është shpëtimi; ai, pra, që me anë të besimit ka kapur fort Perëndinë, ka të gjitha bekimet e besëlidhjes në zotërimin e tij. Mbasi kjo gjë bëhet fakt i sigurtë, argumenti i nxjerrë prej tij ngrihet në formën e një pyetjeje, “Nga kush do të kem frikë?” Një pyetje që ka përgjigjen brenda.
Pushtetet e errësirës nuk duhen pasur frikë, sepse Zoti, drita jonë, i shkatërron ato; mallkimi i ferrit nuk duhet të na trembë, sepse Zoti është shpëtimi ynë. Kjo është një sfidë shumë e ndryshme nga ajo e Golias arrogant sepse qëndron jo mbi fuqinë kryelartë të një krahu mishi por mbi fuqinë e vërtetë të UNË JAM-it të Plotfuqishëm. “Zoti është kështjella e jetës sime.” Këtu ka një epitet të tretë rrëzëllues, për të treguar se shpresa e shkruesit ishte e mbërthyer me një litar tresh që nuk mund të këputej. Mirë bëjmë kur grumbullojmë fjalë lavdie atje ku Zoti jep pa kursim vepra hiri. Jeta jonë e nxjerr gjithë forcën e saj prej Perëndisë dhe nëse Ai begenis të na bëjë të fortë, nuk mund të dobësohemi dot edhe prej të gjithë intrigave të kundërshtarit. “Nga kush do të kem frikë?” Pyetja e guximshme shikon në të ardhmen po ashtu edhe në të tashmen. “Nëse Perëndia është për ne,” kush mund të jetë kundra nesh, qoftë tani ose në të ardhmen?
17 qershor-mëngjes
“Na shpëto, o Zot.”
{#Psalmi 12:1}
Lutja në vetvete është e mrekullueshme, sepse është e shkurtër por me vend, e prerë dhe sugjestive. Davidi vajtonte për shkak se kishte pak njerëz besnikë dhe prandaj ngriti lart zemrën e tij në përgjërim—kur krijesa dështonte, ai fluturonte te Krijuesi. Me siguri që ai ndjeu vetë dobësinë e tij se përndryshe nuk do të kishte thërritur për ndihmë, por në të njëjtën kohë ai synoi me ndershmëri të rrekej për kauzën e së vërtetës sepse fjala “shpëtim” është e pavend kur vetë ne nuk bëjmë asgjë. Ka shumë çiltërsi, mendjemprehtësi të kthjellët dhe qartësi shprehie në këtë peticion dyfjalësh; në të vërtetë, më shumë se sa në llomotitjen e gjatë të përçartë të disa të ashtuquajtur besimtarë. Psalmisti shkon menjëherë drejt e tek Perëndia i tij me një lutje të peshuar mirë; ai e di se ç’kërkon dhe ku ta kërkojë atë. Zot, na mëso të lutemi në të njëjtën mënyrë të bekuar.
Rastet për përdorimin e kësaj lutjeje janë të shpeshta. Në pikëllime providence, sa e përshtatshme që është për besimtarët e sprovuar, që asnjë ndihmesë njerëzore nuk i hyn në punë. Studentët, në vështirësi doktrinale, shpesh mund të fitojnë ndihmë duke ngritur lart klithmën e tyre “na ndihmo o Zot” te Fryma e Shenjtë, Mësuesi i madh. Luftëtarët shpirtërorë në konflikte të brendshme mund ta dërgojnë te froni për përforcime dhe ky do të shërbejë si model për kërkesën e tyre. Punëtorët në punët qiellore munden kështu të fitojnë hir në kohën e nevojës. Mëkatarët kërkues, në dyshime dhe alarme, mund të ofrojnë të njëjtin përgjërim me peshë; në fakt, në të gjitha këto raste, kohëra dhe vende, kjo do t’i shërbejë gjendjes shpirtërore të shpirtrave nevojtarë. “Na shpëto, o Zot,” do të na hyjë në punë duke jetuar dhe duke vdekur, duke vuajtur ose duke punuar rëndë, duke u gëzuar ose duke u trishtuar. Ndihma jonë gjendet në Të, le të mos jemi të ngadaltë për t’i thirrur Atij. Përgjigja e lutjes është e sigurtë, nëse është bërë sinqerisht përmes Jezusit. Karakteri i Zotit na siguron se Ai nuk do të lë në baltë popullin e Tij; lidhja e Tij si At dhe Dhëndër na garanton ndihmën e Tij; dhurata e Tij e Jezusit është një kapar për çdo gjë të mirë dhe premtimi i Tij i sigurtë është, “Mos u frikëso,UNË TË NDIHMOJ.”
17 qershor-mbrëmje
“Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: “Buro o pus!I këndoni Atij!”
{#Numrat 21:17}
Pusi i Beerit ishte i famshëm në shkretëtirë sepse lidhej me një premtim: “Është pusi për të cilin Zoti i pati thënë Moisiut: “Mblidhe popullin dhe Unë do t’i jap ujë.” Populli kishte nevojë për ujë dhe iu premtua prej Perëndisë të tyre të hirshëm. Ne kemi nevojë për furnizime të freskëta hiri qiellor dhe në besëlidhje Zoti është zotuar Vetë për të dhënë gjithçka që kërkojmë. Më pas pusi u bë shkaku i një kënge. Përpara se pusi të gufonte, besimi i gëzueshëm e shtyu popullin të këndojë dhe teksa ata panë burimin e kristaltë të gurgullojë, melodia u bë akoma më e gëzueshme. Në të njëjtën mënyrë, ne që besojmë premtimin e Perëndisë duhet të gëzohemi prej perspektivës së rigjallërimeve hyjnore në shpirtrat tanë dhe teksa i përjetojmë, gëzimi ynë duhet të vërshojë me të madh. A kemi etje? Le të mos murmurisim, por të këndojmë.
Etja shpirtërore është e hidhur për t’u mbajtur, por ne nuk kemi pse e durojmë një gjë të tillë—premtimi tregon një pus; le të jemi vullnetmirë dhe të kërkojmë për të. Për më tepër, pusi ishte qendra e lutjes. “Buro o pus.”Atë që Perëndia është zotuar të japë, ne duhet ta kërkojmë ose përndryshe nxjerrim në pah se nuk kemi as dëshirën as besimin. Këtë mbrëmje le të kërkojmë që Shkrimi që kemi lexuar dhe ushtrimet tona të përkushtimit, mos të jenë një formalitet i zbrazët por një kanal hiri për shpirtrat tanë. Oh, Perëndia Fryma e Shenjtë veproftë në ne me gjithë pushtetin e Tij të fuqishëm, duke na mbushur me të gjithë plotësinë e Perëndisë. Së fundmi, pusi ishte objekti i përpjekjes. “Fisnikët e popullit e kanë gërmuar me bastunët e tyre.” Zoti do që të jemi aktivë në marrjen e hirit. Bastunët tanë nuk janë dhe aq të përshtatshëm për të gërmuar në rërë por ne duhet t’i përdorim aq sa mundemi. Lutja nuk duhet lënë pas dore; mbledhja bashkë nuk duhet braktisur; urdhëresat nuk duhen shpërfillur. Zoti do të na japë me bollëk paqen e Tij por jo ndërsa jemi dembelë. Prandaj pra, le të lëvizim për të kërkuar Atë në të Cilin janë të gjitha burimet tona të freskëta.
18 qershor-mëngjes
“Çliruesi yt.”
{#Isaia 54:5}
Jezusi, Çliruesi, është jo vetëm i joni, por edhe i joni përjetë. Të gjitha ofiqet e Krishtit janë të mbajtura për ne. Ai është mbret për ne, prift për ne dhe profet për ne. Sa herë që lexojmë një titull të ri të Shpenguesit tonë, le ta zotërojmë atë si tonin. Kërraba e bariut, thupra e atit, shpata e kapitenit, mitra e priftit, skeptri i princit, manteli i profetit, janë të gjitha tonat. Jezusi nuk ka dinjitet që nuk do ta përdorte për lartësimin tonë dhe të drejtë të posaçme që nuk do ta ushtronte për mbrojtjen tonë. Plotësia e Hyjnisë së Tij është thesari ynë i pashtershëm dhe i padështueshëm. Forma e Tij njerëzore gjithashtu, që e mori përsipër për ne, është e jona në të gjithë përkryerjen e saj. Zoti ynë i hirshëm na përcjell virtytin e panjollë të një karakteri të pametë; Ai na jep efektshmërinë e denjë të një jete të përkushtuar; Ai na jep shpërblimin e siguruar me anë të nënshtrimit të bindur dhe shërbimit të pareshtur.
Ai e bën rrobën e panjollosur të jetës së Tij bukurinë tonë mbështjellëse; virtytet rrëzëllitëse të karakterit të Tij janë zbukurimet dhe gurët tanë të çmuar; butësinë mbinjerëzore të vdekjes së Tij e bën mburrjen dhe lavdinë tonë. Ai na lë trashëgim grazhdin e Tij, për të na mësuar se si Perëndia erdhi poshtë te njeriu. Ai na lë trashëgim Kryqin e Tij për të na mësuar se si njeriu mund të shkojë lart te Perëndia. Të gjitha mendimet, emocionet, veprimet, shprehitë, mrekullitë dhe ndërhyrjet e Tij ishin për ne. Ai shkeli udhën e pikëllimit për ne dhe si trashëgiminë e Tij qiellore, na ka dorëzuar rezultatet e plota të gjitha veprave të jetës së Tij. Ai është tani po aq shumë i yni sa më përpara; dhe nuk skuqet të vërë në dukje Veten si “Zoti ynë Jezu Krisht,” edhe pse Ai është i Bekuari dhe i vetmi Monark, Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotëve. Krishti kudo dhe në çdo mënyrë është Krishti ynë, për tu gëzuar përherë dhe me bollëkun më të madh. Oh, shpirti im, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë quaje këtë mëngjes, “Çliruesin tënd.”
18 qershor-mbrëmje
“Hyra në kopshtin tim,o motra ime,nusja ime.”
{#Kantiku i kantikeve 5:1}
Zemra e besimtarit është kopshti i Krishtit. Ai e bleu atë me gjakun e Tij të çmuar, Ai hyn atje dhe shpall se i përket Atij. Një kopsht nënkupton ndarje. Nuk është park publik; nuk është një shkretëtirë; është i rrethuar me mure ose me gardh. Dhëntë Zoti që muri i ndarjes midis kishës dhe botës të bëhet më i gjerë dhe më i fortë. Të trishton të dëgjosh të krishterët të thonë, “Epo, kjo nuk është e dëmshme; as kjo tjetra,” duke shkuar kështu sa më afër botës që të jetë e mundshme. Hiri është në zbaticë në atë shpirt që mund madje edhe të ngrejë pyetjen se sa larg mund të shkojë në përputhjen me botën. Një kopsht është një vend hijeshie dhe ia kalon pa masë tokave të egra të pambjellura. I krishteri i vërtetë duhet të kërkojë të jetë më i shkëlqyeshëm në jetën e tij se sa moralisti më i mirë sepse kopshti i Krishtit duhet të prodhojë lulet më të mira në gjithë botën. Edhe me i miri është i varfër i krahasuar me atë që meriton Krishti; le të mos e largojmë me lule të sëmura dhe të vyshkura.
Zambakët dhe trëndafilat më të rrallë, më të pasur dhe më të përzgjedhur duhet të lulëzojnë në vendin që Jezusi e quan vendin e Tij. Kopshti është një vend rritjeje. Të shenjtët nuk duhet të mbesin të pazhvilluar, gjithmonë thjesht sytha. Ne duhet të rritemi në hir dhe në njohurinë e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Rritja duhet të jetë e shpejtë atje ku Jezusi është Bujku dhe Fryma e Shenjtë është vesa prej së larti. Një kopsht është një vend tërheqjeje veçan. Po ashtu, Zoti Jezu Krisht do të donte që të ruanim shpirtrat tanë si një vend në të cilin Ai mund të shfaqet ashtu si nuk e bën për botën. Oh, sikur të krishterët të ishin më veçan me qëllim që të ruanin zemrat e tyre më të përgatitura për Krishtin! Ashtu si Marta, ne shpesh shqetësohemi dhe trazojmë veten me shumë shërbim, kështu që nuk kemi për Krishtin vendin që Maria pati dhe nuk ulemi nën këmbët e Tij ashtu siç duhet. Zoti dhëntë që shirat e ëmbël të hirit të Tij të ujisin sot kopshtin e Tij.
19 qershor-mëngjes
“Të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë.”
{#Veprat 2:4}
Bekimet e kësaj dite do të ishin të pasura nëse të gjithë prej nesh të mbusheshim me Frymën e Shenjtë. Do të ishte e pamundur të mbivlerësoje rrjedhojat e kësaj mbushje të shenjtë të shpirtit. Jeta, ngushëllimi, drita, pastërtia, fuqia, paqja dhe shumë të tjera bekime janë të pandara prej pranisë dashamirëse së Frymës. Si vaj i shenjtë, Ai vajos kokën e besimtarit, e veçon për priftërinë e të shenjtëve dhe i jep hir për të zbatuar detyrën e tij ashtu siç duhet. Si i vetmi ujë me të vërtetë pastrues, Ai na pastron prej pushtetit të mëkatit dhe na shenjtëron për shenjtërim, duke punuar ndër ne, duke bërë që të duam dhe të veprojmë sipas vullnetit të Tij të mirë. Si dritë, Ai na shfaq së pari gjendjen tonë të humbur, zbulon tani brenda nesh Zotin Jezus dhe na udhëheq në udhën e drejtësisë. Të ndriçuar prej rrezes së Tij qiellore, ne nuk jemi më errësirë, por dritë në Zotin.
Si zjarr, Ai na pastron prej ndryshkut dhe i jep shkëlqim përkushtimit tonë. Ai është flaka flijuese me anë të cilës ne jemi mundësuar t’i ofrojmë Perëndisë të gjithë shpirtin tonë si një flijim të gjallë. Si vesë qiellore, Ai heq shterpësinë tonë dhe bën pjellore jetët tona. Oh, sikur të binte mbi ne si vesë pikërisht këtë orë! Një vesë e tillë mëngjesore do të ishte një fillim i ëmbël për ditën. Si pëllumb, me krahë dashurie të paqshme mbulon kishën e Tij dhe shpirtrat e besimtarëve dhe si një Ngushëllues përzë shqetësimet dhe mëdyshjet që prishin paqen e të dashurve të Tij. Ai zbret mbi të zgjedhurin ashtu si mbi Zotin në Jordan dhe i jep dëshmi birësisë së tyre duke punuar në to një Frymë birërore me anë të cilës ata thërrasin Aba, At. Si era, Ai i sjell njerëzve Frymën e jetës, duke fryrë atje ku i pëlqen; Ai kryen veprimet ngjallëse me anë të cilave krijesa shpirtërore është e gjallëruar dhe e përkrahur. Dashtë Perëndia që të mund të ndjejmë praninë e Tij këtë ditë dhe çdo ditë.
19 qershor-mbrëmje
“I dashuri im është imi dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve. Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.”
{#Kantiku i kantikeve 2:16,17}
Me siguri nëse ka një varg të gëzueshëm në Bibël, është ky—”I dashuri im është imi dhe unë jam e tij.” Kaq i paqshëm, kaq plot me siguri, kaq i përplot me lumturi dhe kënaqësi është ky varg sa nuk është për t’u habitur nëse do të ishte shkruar prej së njëjtës dorë që shkroi Psalmin njëzet e tre. Prapëseprapë edhe pse horizonti është tepër i bukur dhe i dashur—toka nuk mund të tregojë dot diçka më të bukur—nuk ka vetëm diell. Ka një re mbi qiell e cila hedh një hije mbi peizazhin. Dëgjoni, “Para se të fryje flladi i ditës dhe hijet të ikin.” Ka gjithashtu edhe një fjalë për “malet e Betherit,” ose “malet e ndarjes,” dhe për dashurinë tonë, çdo gjë si ndarja është hidhërim. Të dashur, kjo mund të jetë gjendja juaj e tanishme; nuk e vini në dyshim shpëtimin tuaj; e dini se Krishti është juaji, por nuk jeni duke festuar me Të. E kuptoni interesin tuaj jetësor në Të kështu që nuk keni as dhe një hije dyshimi se i përkisni Atij dhe se Ai ju përket, por prapëseprapë dora e Tij e majtë nuk është nën kokën tuaj dhe as dora e Tij e djathtë nuk ju përqafon.
Një hije trishtimi është hedhur mbi zemrën tuaj, ndoshta prej pikëllimit, ndoshta prej mungesës se përkohshme të Zotit tuaj, kështu që edhe kur jeni duke thërritur, “Jam e tij,” jeni të shtrënguar të bini në gjunjë dhe të luteni, “Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin.” Shpirti pyet “Ku ndodhet Ai vallë? Dhe përgjigja vjen, “Ai e kullot kopenë midis zambakëve.” Nëse do të donim të gjenim Krishtin, duhet që të hyjmë në shoqërim me njerëzit e Tij, duhet të marrim pjesë tek urdhëresat me shenjtorët e Tij. Oh, një shikim të Tij këtë mbrëmje! Oh, të darkosh me të sonte!
20 qershor-mëngjes
“Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.”
{#Amos 9:9}
Çdo shoshitje vjen prej urdhëresës dhe lejimit hyjnor. Satani duhet të kërkojë leje përpara se të ngre edhe një gisht mbi Jobin. Jo, madje më tepër akoma, në një farë kuptimi, shoshitjet tona janë drejtpërsëdrejti vepra e qiellit sepse teksti thotë, “Unë do ta shosh shtëpinë e Izraelit.” Satani, ashtu duke u rropatur, mund të mbajë sitën, duke shpresuar të shkatërrojë grurin, por dora sunduese e Mjeshtrit është duke realizuar pastërtinë e grurit po me atë proces që armiku synoi të ishte shkatërrimtar. Grurë i hambarit të Zotit, i çmuar por shumë i shoshitur, ngushëllohu prej faktit të bekuar se Zoti drejton si kamxhikun ashtu dhe shoshën për lavdinë e Tij dhe për përfitimin tënd të përjetshëm. Zoti Jezus me siguri që do të përdorë shoshën që është në dorën e Tij dhe do të ndaje të çmuarën prej së fëlliqurës. Nuk janë të gjithë Izrael ata që janë prej Izraelit; kapica në dyshemenë e hambarit nuk është e pastër dhe prandaj duhet të kryhet procesi i shoshitjes. Në sitë vetëm çka peshon ka fuqi. Lëvoret dhe byku duke qenë të zbrazura fluturojnë prej erës dhe vetëm gruri i fortë do të qëndrojë aty.
Vini re sigurinë e plotë të grurit të Zotit; edhe kokrra e grurit më e vogël ka një premtim ruajtjeje. Vetë Perëndia shoshit dhe prandaj është punë e tmerrshme dhe e rëndë; Ai i shoshit ata në çdo vend, “Midis gjithë kombeve;” Ai i shoshit ata në mënyrën më të efektshme, “ashtu si bëhet me shoshën;” dhe prapëseprapë megjithatë, as kokrra më e rrëgjuar, më e lehtë, më e vogël, nuk do të bjerë poshtë në tokë. Çdo besimtar është i çmuar nën sytë e Zotit, një bari nuk do të donte të humbte as edhe një dele, po ashtu një argjendar ndonjë diamant, një nënë ndonjë fëmijë, një njeri ndonjë gjymtyrë të trupit të tij, as dhe Zoti nuk do humbë asnjë prej njerëzve të Tij të shpenguar. Sado të vegjël të jemi, nëse i përkasim Zotit, mund të gëzohemi se jemi të ruajtur në Krishtin Jezus.
20 qershor-mbrëmje
“Ata lanë menjëherë rrjetat dhe i shkuan pas.”
{#Marku 1:18}
Kur ata dëgjuan thirrjen e Jezusit, Simoni dhe Andrea u bindën menjëherë pa ngurrim. Nëse do të donim gjithmonë, me përpikëri dhe me zell të vendosur, të zbatojmë menjëherë çfarë dëgjojmë, ose që me rastin e parë që na jepet, pjesëmarrja jonë në mjetet e hirit dhe leximi i librave të mirë, nuk mund të mos të na pasurojnë shpirtërisht. Nuk do të humbasë rriskën e tij ai që është kujdesur ta hajë menjëherë atë, po ashtu nuk mund të mos ketë dobi prej doktrinës ai që ka vepruar tashmë sipas saj. Shumë lexues dhe dëgjues preken vetëm aq sa nuk shkojnë më larg se synimi për të ndrequr veten; po sa keq! Synimi është një syth që nuk çel dhe prandaj nuk vjen fryt prej tij; ata presin, lëkunden dhe pastaj harrojnë, derisa, ashtu si pellgjet në kohë ngrice, shkrijnë vetëm kur dielli shkëlqen ditën për të ngrirë përsëri natën.
Ajo e nesërme fatale është gjak e kuqe me vrasjen e vendimmarrjeve të mira; është shtëpia e therjes se të pafajshmëve. Jemi shumë të ankthshëm që libri ynë i “Leximeve të mbrëmjes” mos të jetë i pafryt dhe prandaj lutemi që lexuesit mos të jenë vetëm lexues, por zbatues të fjalës. Zbatimi i së vërtetës është leximi më i dobishëm i saj. Nëse lexuesit do t’i lindte në zemër ndonjë detyrë ndërsa lexon me vëmendje këto faqe, le të nxitojë ta përmbushë atë përpara se shkëlqimi i shenjtë të jetë larguar prej shpirtit të tij dhe le të lërë rrjetat dhe gjithçka që ka, me frikën se mos jetë rebel ndaj thirrjes së Mjeshtrit. Mos i jep shteg djallit me anë të vonesës! Ngutu ndërsa rasti dhe gjallërimi janë në një ndërlidhje të volitshme. Mos u kap në vetë rrjetat e tua por copëto lakun e botës dhe shko atje ku lavdia të thërret. Lum shkruesi që ndesh lexues të vendosur për të zbatuar mësimet e tij: korrja e tij do të jetë e njëqindfishtë dhe Mjeshtri i Tij do të ketë nder të madh. I pëlqeftë Perëndisë që ky të jetë shpërblimi ynë prej këtyre përsiatjeve të shkurtra dhe udhëzimeve të shpejta. Dhuroja këtë o Zot, shërbëtorit tënd!
21 qershor-mëngjes
“Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve.”
{#Psalmi 45:2}
I gjithë personi i Jezusit është si një gur i çmuar dhe jeta e Tij është e gjitha një gjurmë e vulës së Tij. Ai është i tëri i plotë; jo vetëm në pjesët e Tij të ndryshme por si një e tërë e hijshme e lavdishme. Karakteri i Tij nuk është një masë ngjyrash të bukura të përziera ngatërrueshëm, as një grumbull gurësh të çmuar të vënë pa kujdes sipër njëri tjetrit. Ai është një tablo bukurie dhe një parzmore lavdie. Në Të, “të gjitha gjërat që kanë emër të mirë” janë në vendin e tyre të duhur dhe ndihmojnë në zbukurimin e njëra tjetrës. As dhe një tipar në personin e Tij të lavdishëm nuk tërheq vëmendjen në dëm të të tjerëve, por Ai është përsosmërisht dhe i tëri tërheqës.
Oh, Jezus! Fuqia, hiri, drejtësia, butësia, e vërteta, madhështia dhe pandryshueshmëria Jote bëjnë një njeri të tillë, ose më saktë një Perëndi-njeri të tillë sa as qielli as toka nuk e kanë parë gjetiu. Fëmijëria Jote, përjetësia Jote, vuajtjet e Tua, triumfet e Tua, vdekja Jote dhe pavdekësia Jote, janë të gjitha të thurura në një endje të mrekullueshme, pa tegel ose grisje. Ti je muzikë pa keqtingëllim; Ti je i shumtë dhe prapëseprapë i pandarë;Ti je të gjitha gjërat dhe prapëseprapë jo i ndryshëm. Ashtu si të gjitha ngjyrat shkrihen në një ylber të shkëlqyeshëm po ashtu të gjitha lavditë e qiellit dhe tokës takohen në Ty dhe bashkohen kaq mrekullueshëm sa nuk ka asgjë si Ti mes gjitha gjërave; jo, nëse të gjitha virtytet e më të shkëlqyeshmit të lidheshin në një tufë, ato nuk do mund të mateshin me Ty, Ti, pasqyra e çdo përkryerje. Ti je vajosur me vajin e shenjtë të mirrës dhe kajsisë, që Perëndia yt ka vënë mënjanë vetëm për Ty dhe sa për aromën Tënde, është si parfumi i shenjtë, që nuk mund të krahasohet me asnjë tjetër; erëzat janë aromatike por përbërja është hyjnore.
O simetri e shenjtë! O, lidhje e shenjtë
E shumë përkryerjeve për të bërë një përkryerje të vetme!
O muzikë qiellore, të gjitha pjesët bashkohen
Në një melodi të ëmbël për të formuar një ëmbëlsi të përkryer!
21 qershor-mbrëmje
“Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur.”
{#2 Timoteu 2 :19}
Themeli mbi të cilin prehet besimi ynë është ky, se “Perëndia e pajtoi botën me Veten e Vet në Krishtin, duke mos ua llogaritur njerëzve shkeljet e tyre.” Fakti i madh mbi të cilin mbështetet besimi i vërtetë është se “Fjala u bë mish dhe banoi midis nesh,” dhe se “Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për mëkatet, i drejti për të padrejtët;” “Ai Vetë i barti mëkatet tona në trupin e Vet në drurin e kryqit”; “Ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi Të dhe për shkak të vurratave të Tij ne jemi shëruar.” Me një fjalë, shtylla e madhe e shpresës së të krishterit është zëvendësimi. Flijimi zëvendësues i Krishtit për fajtorin, Krishti i bërë mëkat për ne që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të, Krishti që ofron një flijim shlyes dhe zëvendësues të vërtetë dhe të përshtatshëm në vend dhe në dobi të gjithë atyre që Ati i dha Atij, të cilët janë të njohur prej Perëndisë me emër dhe njihen në zemrat e tyre prej besimit në Jezus—ky është fakti themelor i ungjillit.
Nëse ky themel do të hiqej, çfarë do të bënim vallë? Mirëpo ai qëndron i palëkundur ashtu si froni i Perëndisë. Ne e njohim; prehemi në të; gëzohemi në të dhe kënaqësia jonë është ta mbajmë fort atë, të përsiatim mbi të, ta shpallim atë, ndërsa dëshirojmë të lëvizim dhe të vihemi në veprim prej mirënjohjes në çdo pjesë të jetës dhe bisedës sonë. Në ditët e sotshme, një sulm i drejtpërdrejtë po kryhet ndaj doktrinës së shlyerjes. Njerëzit nuk mund ta durojnë dot zëvendësimin. Ata skërmitin dhëmbët prej mendimit të Qengjit të Perëndisë që mban mëkatin e njeriut, por ne, që njohim me anë të përjetimit çmueshmërinë e kësaj të vërtetë, do ta shpallim me siguri dhe pareshtur në kundërshtim me ta. As nuk do ta hollojmë as nuk do ta ndryshojmë, as nuk do ta thërrmojmë në ndonjë formë ose mënyrë. Akoma do të jetë Krishti, një zëvendësues i vërtetë, që mban fajin e njerëzve dhe që vuan në vend të njeriut. Ne nuk mund, nuk guxojmë të heqim dorë prej saj, sepse është jeta jonë dhe me gjithë polemikat ne mendojmë se “megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur.”
22 qershor-mëngjes
“Ai do të ndërtojë tempullin e Zotit,do të mbulohet me lavdi.”
{#Zakaria 6:13}
Vetë Krishti është ndërtuesi i tempullit të Tij shpirtëror dhe Ai e ka ndërtuar atë mbi malet e dashamirësisë se Tij të pandryshueshme, mbi hirin e Tij të plotfuqishëm dhe mbi vërtetësinë e Tij të pagabueshme. Mirëpo, ashtu siç kërkohej në tempullin e Solomonit, po ashtu edhe në këtë tempull, materialet nevojiten të bëhen gati. Aty janë “kedrat e Libanit,” por ato nuk janë të gdhendur për ndërtesën, nuk janë prerë, nuk i është dhënë formë dhe nuk janë kthyer në dërrasa kedri, që me bukurinë e tyre erëkëndshme do të gëzojnë oborret e shtëpisë së Zotit në Parajsë. Po ashtu, gurët e palatuar janë akoma në gurore; ato duhet të latohen dhe priten. E gjitha kjo është vetë punë e Krishtit. Çdo besimtar është duke u përgatitur, lëmuar dhe duke u bërë gati për vendin e tij në tempull, por janë vetë duart e Krishtit ato që kryejnë punën e përgatitjes. Pikëllimet nuk mund të shenjtërojnë, përveçse kur ato përdoren prej Tij me këtë qëllim. Lutjet dhe përpjekjet tona nuk mund të na bëjnë gati për qiellin, pa dorën e Jezusit, i Cili formon zemrat tona ashtu siç duhet.
Ashtu si në tempullin e Solomonit, “nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri,” sepse gjithçka u soll tërësisht gati për të zënë vendin e caktuar—po ashtu është me tempullin që Jezusi ndërton; përgatitja është bërë e gjitha mbi tokë. Kur të arrijmë në parajsë, nuk do të ketë shenjtërim atje, pikëllim apo vuajtje. Jo, ne duhet të bëhemi gati këtu—të gjithë këtë Krishti do ta bëjë paraprakisht dhe kur ta ketë bërë, ne do të mbartemi prej një dore të dashur përmes rrymës së vdekjes dhe do të sillemi në Jeruzalemin qiellor për të qëndruar si shtylla të përjetshme në tempullin e Zotit tonë.
Nën syrin dhe kujdesin e Tij
Ndërtesa do të ngrihet lart
Madhështore, e fortë dhe e hijshme
Dhe do të shkëlqejë mbi qiej.
22 qershor-mbrëmje
“Që të mbeten ato që nuk tunden.”
{#Hebrenjve 12 :27}
Ne kemi shumë gjëra nën zotërimin tonë në çastin e tanishëm që mund të tunden dhe nuk i shkon për shtat një të krishteri t’u kushtojë shumë rëndësi sepse nu k ka asgjë të qëndrueshme poshtë këtyre qiejve; ndryshimi është i shkruar mbi të gjitha gjërat. Prapëseprapë, ne kemi disa gjëra që nuk mund të tunden dhe ju ftoj këtë mbrëmje të mendoni mbi to, që nëse gjërat që mund të lëkunden do të merreshin tutje, të mund të nxirrnit ngushëllim të vërtetë prej gjërave që nuk mund të lëkunden dot, të cilat do të mbeten. Çfarëdo të kenë qenë humbjet e juaja,ose çfarë do qofshin, ju gëzoni shpëtim të tanishëm. Ju jeni duke qëndruar nën këmbën e kryqit të Tij, duke besuar vetëm në meritën e gjakut të çmuar të Jezusit dhe asnjë ngritje ose rënie e tregjeve nuk mund të ndërhyjë në shpëtimin tuaj në Të; asnjë vjedhje bankash, asnjë falimentim nuk mund ta prekë atë. Pastaj, ti je këtë mbrëmje një fëmijë i Perëndisë.
Perëndia është Ati yt. Asnjë ndryshim rrethanash nuk mund të të lërë pa Të. Edhe sikur i varfëruar prej humbjesh dhe i zhvatur, ti mund të thuash, “Ai është akoma Ati im. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë kthina, prandaj nuk kam pse të shqetësohem.” Ti ke një tjetër bekim të përhershëm, domethënë, dashurinë e Jezu Krishtit. Ai që është Perëndi dhe Njeri të do me gjithë forcën e natyrës së Tij dashamirëse—asgjë nuk mund ta prishë atë. Pema e fikut mund të mos lulëzojë dhe kopetë të mos dalin më lëndinave; kjo nuk ka rëndësi për njeriun që mund të këndojë, “I dashuri im është imi dhe unë jam i tij.” Ne nuk mund ta humbasim trashëgiminë tonë më të pasur dhe riskun tonë më të mirë. Çfarëdo qofshin trazirat le të jemi të fortë; le të tregojmë se nuk jemi fëmijë të vegjël që u lëshohet zemra nga çka mund të ndodhë në këtë kohë kalimtare. Vendi ynë është toka e Emanuelit, shpresa jonë është lart në qiell dhe prandaj, të qetë si oqeani në kohë vere, mund të shikojmë rrënimin e çdo gjëje tokësore dhe prapëseprapë le të gëzohemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
23 qershor-mëngjes
“Efraimi është një kulaç i pakthyer.”
{#Osea 7:8}
Një kulaç i pakthyer është i papjekur nga njëra anë dhe ashtu ishte Efraimi, në shumë pikëpamje, i paprekur prej hirit hyjnor; edhe pse kishte një bindje të pjesshme, kishte mbetur shumë rebelim. Shpirti im, të përgjërohem, shiko nëse është ky rasti yt apo jo. A jeni të përsosur në gjërat e Perëndisë? A ka depërtuar hiri mu në qendër të qenies tënde aq sa të ndjehet në veprimet e tij hyjnore në të gjitha fuqitë, veprimet, fjalët dhe mendimet e tua? Të shenjtërohesh, frymë, shpirt dhe trup, duhet të jetë qëllimi dhe lutja jote; dhe edhe pse te ty shenjtërimi mund të mos jetë i përkryer në masën e tij në çdo pjesë tënden, prapëseprapë ai duhet të jetë i përgjithshëm në veprimin e tij; nuk duhet të ketë shfaqje shenjtërie në një vend dhe mëkat mbretërues në një tjetër, përndryshe, edhe ti do të jesh një kulaç i pakthyer.
Një kulaç i pakthyer shpejt digjet në anën më afër zjarrit dhe edhe pse askush nuk mund ta ketë ndonjëherë besimin me tepri, prapëseprapë ka disa që duken tejet të përcëlluar nga një zell fanatik për atë pjesë të së vërtetës që kanë marrë ose janë të shkrumbëzuar nga një mburrje farizee për ato vepra fetare që i përshtaten qejfit të tyre. Ajo dukje që pretendon një shenjtëri të epërme shpesh shoqërohet me një mungesë të plotë të çdo përshpirtshmërie jetësore. I shenjti në publik është një djall kur është vetëm. Ditën ai merret me tregtinë e miellit dhe natën me atë të blozës. Kulaçi që është i përcëlluar nga njëra anë është brumë i papjekur nga ana tjetër. Nëse është kështu me mua, O Zot, më kthe! Kthe natyrën time të pashenjtëruar në zjarrin e dashurisë Tënde dhe le ta ndjejë flakën e shenjtë dhe ana ime e përcëlluar le të ftohet pak ndërsa mësoj dobësinë time dhe mungesën e pasionit ndërsa jam larg flakës tënde qiellore. Mos lejo që të jem një njeri me dy mendje por një njeri i tëri nën ndikimin e fuqishëm të hirit mbretërues, sepse e di mirë se nëse mbetem një kulaç i pakthyer dhe nuk jam nga të dy anët nën hirin tënd, atëherë do të konsumohem përherë mes flakëve të përjetshme.
23 qershor-mbrëmje
“Duke pritur birësimin.”
{#Romakeve 8:23}
Edhe në këtë botë të shenjtët janë fëmijët e Perëndisë, por njerëzit nuk mund t’i zbulojnë dot si të tillë veç nga disa karakteristika morale. Birësimi nuk është shfaqur, fëmijët nuk janë shpallur akoma hapur. Midis romakëve, një njeri mund të birësonte një fëmijë dhe ta mbante të fshehtë për një kohë të gjatë, por kishte një birësim të dytë në publik; kur fëmija sillej përpara autoriteteve, rrobat e tij të mëparshme hiqeshin dhe ati që e kishte pranuar si fëmijën e tij i jepte një rrobë të përshtatshme për gjendjen e re të jetës së tij. “Të dashurit e mi, tani ne jemi bij të Perëndisë, por se çfarë do të jemi kjo nuk është bërë ende e njohur.” Ne nuk jemi veshur akoma me veshjen që i ka hije familjes qiellore mbretërore; ne kemi veshur në këtë mish dhe gjak atë që veshëm duke qenë fëmijë të Adamit, por e dimë se “kur Ai do shfaqet” i Cili është “i parëlinduri midis shumë vëllezërve,” do të jemi si Ai, do ta shikojmë ashtu si Ai është.
Përfytyroni një fëmijë i ngritur prej rangjeve më të ulët të shoqërisë dhe i birësuar prej një senatori roman, duke i thënë vetes, “dëshiroj me zjarr ditën kur do birësohem publikisht. Atëherë do të heq këto veshje plebeu dhe do të vishem ashtu siç i shkon rangut të senatorit?” I lumtur prej asaj që ka marrë, për vetë këtë arsye, ai dëshiron me zjarr të marrë plotësinë e asaj që i është premtuar. Ashtu është me ne sot. Ne po presim derisa të veshim rrobat tona të përshtatshme dhe të shfaqemi si fëmijët e Perëndisë. Jemi fisnikë të rinj dhe akoma nuk kemi vënë kurorëzat, jemi të fejuar dhe dita e martesës nuk ka ardhur akoma dhe prej dashurisë që Dhëndri ynë ka për ne, dëshirojmë me zjarr mëngjesin martesor. Vetë lumturia jonë na bën që të gulçojmë më shumë; gëzimi ynë, prej mungesës së hapësirës dhe vendit, ashtu si një burim i fryrë që do me zjarr të brufullojë si një gejzer islandez, kërcen deri në qiej, ofshan dhe psherëtin përbrenda frymës sonë për t’ia shfaqur veten njerëzve.
24 qershor-mëngjes
“Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën”. Por ai u tha: “Më tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë”. {#Lluka 11:27,28}
Disave u pëlqejnë të mendojnë se të jesh nëna e Zotit tonë, medoemos që përmban shumë privilegje të veçanta. Ata hamendësojnë se ajo mund të shikonte në thelbin e zemrës së Tij në një mënyrë që ne as nuk mund ta shpresojmë ta arrijmë dot. Mund të ketë në pamje të parë një farë vërtetësie në këtë hamendje, por në të vërtetë jo dhe aq. Ne nuk e dimë se Maria dinte më shumë se të tjerët; atë që ajo dinte bëri mirë që e ruajti në zemrën e saj, por prej asaj që lexojmë në Ungjijtë nuk duket të ketë qenë një besimtare më e mësuar se çdo dishepull tjetër i Krishtit. Gjithçka që ajo dinte, edhe ne mund ta zbulojmë. A habiteni se flasim në këtë mënyrë? Këtu ka një tekst për ta provuar këtë: “Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej Tij dhe Ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e Tij.”
Kujtoni fjalët e Mjeshtrit—”Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç`bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.” Kaq bekueshëm ky Zbulues hyjnor i sekreteve, na tregon zemrën e Tij sa nuk mban për vete asgjë që është e dobishme për ne; vetë siguria e Tij shprehet kështu, “Po të mos ishte kështu, do t’ju kisha thënë.” A nuk na shfaqet neve ashtu si nuk i shfaqet botës? Po, ashtu është dhe prandaj ne nuk do të thërrasim në padije, “Lum barku që të mbajti,” por do të bekojmë me zgjuarsi Perëndinë se mbasi dëgjuam Fjalën dhe e mbajtëm atë, kemi së pari po aq shoqërim të vërtetë me Shpëtimtarin sa e Virgjëra pati dhe në radhë të dytë po aq njohje të vërtetë me të fshehtat e zemrës së Tij sa mund të marrim me mend se ajo pati fituar. Lum shpirti i privilegjuar kështu!
24 qershor-mbrëmje
“Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjen mbretit duke thënë…dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë Perëndive të tua.”
{#Danieli 3 :16,18}
Tregimi i kurajës burrërore dhe i çlirimit të mrekullueshëm të tre fëmijëve të shenjtë, ose më saktë tre kampionëve, është e llogaritur mirë që të nxisë në mendjen e besimtarëve palëkundshmëri dhe qëndrueshmëri në mbajtjen lart të së vërtetës nën dhëmbët e tiranisë dhe nën vetë kthetrat e vdekjes. Krishterët e rinj le të mësojnë prej shembullit të tyre, qoftë përsa i përket besimit në krishtërim, qoftë ndershmërisë në punë, për të mos flijuar kurrë ndërgjegjet e tyre. Më mirë të humbni gjithçka se sa të humbni ndershmërinë tuaj dhe kur çdo gjë tjetër nuk është më, ruani akoma një ndërgjegje të pastër si më i rralli gur i çmuar që mund të zbukurojë kraharorin e një të vdekshmi. Mos ndiq shumicën por yllin polar të autoritetit hyjnor. Ndiq të drejtën me çdo kusht. Kur nuk shikon fitim të tanishëm, ec me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit. Nderoje Perëndinë duke e besuar për hir të parimit, kur bëhet fjalë për humbje të ndryshme.
Shikoni nëse Ai do të jetë borxhliu juaj! Shikoni nëse nuk provon fjalën e Tij se “përshpirtshmëria sjell fitim të madh” dhe se ata që “para së gjithash kërkojnë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, të gjitha këto gjëra do t`ju shtohen.” Nëse ndodh se, prej providencës së Perëndisë, del humbës për shkak të ndërgjegjes, do të zbuloni se nëse Zoti nuk ta kthen me argjendin e mbrothësisë tokësore, Ai do ta përmbushë premtimin e Tij me arin e gëzimit shpirtëror. Kujto se jeta e njeriut nuk qëndron në teprinë e pasurive të tij. Të mbash një frymë të çiltërt, të kesh një zemër pa shkelje, të kesh favorin dhe buzëqeshjen e Perëndisë është pasuri më e madhe se ajo që mund të jepnin minierat e Ofirit ose që mund të fitohej nga tregtia e Tirit. Më mirë të kesh për të ngrënë bar kur ka dashuri se sa një ka të majmur kur ka urrejtje. Një gram prehje zemre vlen më shumë se një ton ar.
25 qershor-mëngjes
“Ngjitu mbi një mal të lartë.”
{#Isaia 40 :9}
Njohuria jonë e Krishtit është disi si ngjitja në një prej maleve tona të Uellsit. Kur jeni në rrëzë shikoni pak gjë: vetë mali duket se është i lartë sa gjysma e asaj që është me të vërtetë. Shikimi juaj kufizohet në një luginë të vogël, ju zbuloni pak gjë përveç përrenjve gurgullitës teksa zbresin për në lum në rrëzë të malit. Ngjit sukën e parë që ngrihet përpara dhe lugina zgjatet dhe zgjerohet poshtë këmbëve të tua. Shko më lart dhe shikon vendin katër ose pesë milje përreth dhe je i kënaqur me horizontin e gjerë. Ngjitu akoma dhe pamja zgjerohet; derisa së fundi, kur je në majë dhe hedh sytë në lindje, perëndim, veri dhe jug shikon pothuajse të gjithë Anglinë që shtrihet përpara teje.
Atje ndodhet një pyll në një Konté të largët, ndoshta dyqind milje larg, këtu deti, atje një lum vezullues dhe oxhakët tymues të një qyteti industrial ose direku i anijeve në një port të madh. Të gjitha këto gjëra të pëlqejnë dhe të kënaqin dhe thua, “Nuk do të ma kishte marrë mendja se kaq shumë mund të shihej në këtë lartësi.” Tani, jeta e krishterë është e njëllojtë. Kur së pari ne besojmë në Krisht, dallojmë prej Tij veçse pak. Aq më lart ngjitemi aq më shumë zbulojmë prej bukurive të Tij, por kush ka arritur vallë ndonjëherë majën? Kush ka njohur vallë lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Krishtit që tejkalon çdo njohuri? Pali kur u plak, ashtu i thinjur, duke u dridhur nga të ftohtët në një birucë në Romë, i mëshoi me të madhe, më fort se sa ne mundemi, këtyre fjalëve “sepse e di kujt i kam besuar,” ngaqë çdo përvojë kishte qenë si ngjitja e një kodre, çdo sprovë si ngjitja e një tjetër maje dhe vdekja e tij u duk si arritja e majës së malit nga ku ai mund të shikonte të gjithë besnikërinë dhe dashurinë e Atij që i pati besuar shpirtin e tij. Mik i shtrenjtë, ngjitu në malin e lartë.
25 qershor-mbrëmje
“Pëllumbi nuk gjeti dot vendin ku të mbështeste këmbën e tij.” {#Zanafilla 8 :9}
Lexues, a mund të gjesh prehje në tjetër vend se në arkën, Krishtin Jezus? Atëherë të jesh i sigurtë se besimi yt është i kotë. A je i kënaqur me ndonjë gjë tjetër se njohja e vetëdijshme e bashkimit me Krishtin dhe pjesëmarrjes tënde në Krishtin? Atëherë mjerë ti! Nëse pretendon se je i krishterë dhe prapëseprapë kënaqesh plotësisht me kënaqësitë e botës dhe dëfrimet mondane atëherë pretendimi yt është i rremë. Nëse shpirti yt çlodhet dhe mbulohet rehatshëm në shtratin e mëkatit, atëherë je një hipokrit dhe larg prej mendime të duhura për Krishtin dhe dallimit të çmueshmërisë së Tij. Mirëpo nëse, nga ana tjetër, ndjen se mund të mëkatosh bollshëm pa u dënuar prapëseprapë kjo gjë do të ishte vetë një dënim në vetvete dhe se nëse do të kishe të gjithë botën dhe të qëndroje në të përherë do të ishte mjerim mos të largoheshe dot prej saj, sepse Perëndia yt—Perëndia yt—është ajo që shpirti yt dëshiron me zjarr; atëherë merr kurajë, ti je një fëmijë i Perëndisë.
Me gjithë mëkatet dhe papërkryerjet e tua, merre këtë si ngushëllimin tënd: nëse shpirti yt nuk ka prehje në mëkatet, atëherë nuk je ashtu siç mëkatari është! Nëse je akoma duke thërritur dhe dëshiruar me zjarr për diçka më të mirë, Krishti nuk të ka harruar, sepse ti nuk e ke harruar Atë tërësisht. Besimtari nuk mund të jetojë pa Zotin e Tij; fjalët janë të papërshtatshme për të shprehur mendimet e tij për Të. Ne nuk mund të jetojmë me rërën e shkretëtirës, ne duam manën që bie prej së larti; furnizimet e besimit te krijesa nuk mund të japin as dhe një pikë lagështire, por ne pimë prej shkëmbit që na ndjek dhe ai shkëmb është Krishti. Kur ushqeheni me Të, shpirti juaj mund të këndojë, “Ai ngop me të mira gojën time dhe më bën të ri si shqiponja,” por nëse nuk e ke, buti yt plot i verës dhe hambari i mbushur mirë nuk mund të të japë një kënaqësi të tillë, por vajto prej tyre me këto fjalë urtësie, “Kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi!”
26 qershor-mëngjes
“Edhe ti je bërë i ngjashëm me ne?”
{#Isaia 14:10}
Cili do jetë vallë gjykimi i apostatit i ashtuquajtur besimtar kur shpirti i tij do të shfaqet i zhveshur përpara Perëndisë? Si do ta durojë vallë atë zë, “Shporru ti i mallkuar, më ke hedhur poshtë dhe Unë të hedh poshtë, je kurvëruar dhe je larguar prej Meje: edhe Unë gjithashtu të kam dëbuar përherë prej pranisë sime dhe nuk do kem mëshirë për ty.” Cili do të jetë vallë turpi i këtij të mjeri në ditën e fundit të madhe kur përpara turmave të mbledhura, apostatit do t’i hiqet maska? Shikoni paganët dhe mëkatarët që nuk pretenduan kurrë se besonin, që ngrihen prej shtretërve të tyre të zjarrit duke e treguar me gisht. “Ja ku është,” thotë njeri, “a do predikojë vallë ungjillin në ferr?” “Aha!” thotë një tjetër, “këtu po vjen një Metodist që këndonte psalme—dikush që ishte përherë i pranishëm në takime; ai është njeriu që mburrej se ishte i sigurtë për jetën e tij të përjetshme dhe ja ku është!”
Nuk do të shihet zell më të madh midis torturuesve satanikë se sa në atë ditë kur djajtë do të zvarrisin shpirtin e hipokritit poshtë në skëterrë. Buniani e përshkruan këtë me një madhështi të madhe poetike, por të tmerrshme kur flet për shtegun drejt ferrit. Shtatë djaj e lidhin të mjerin me nëntë litarë dhe e tërheqin zvarrë prej udhës për në parajsë, ku kishte pretenduar se po ecte dhe e flakin në ferr përmes derës së pasme. Ki kujdes atë shteg për në ferr, i ashtuquajtur besimtar! “Shqyrtoni veten tuaj për të parë nëse jeni në besim.” Shikoni mirë gjendjen tuaj; shikoni nëse jeni në Krisht apo jo. Është gjëja më e lehtë në botë të japësh një verdikt të butë kur shqyrton vetveten; por oh, ji i drejtë dhe i vërtetë në këtë gjë. Ji i drejtë me të gjithë, por ji i rreptë me vetveten. Ki parasysh se nëse nuk ndërton mbi një shkëmb, ndërsa shtëpia jote do të bjerë, rënia do të jetë e madhe. Oh, Zoti të dhëntë sinqeritet, qëndrueshmëri palëkundshmëri dhe në asnjë ditë, sa do e keqe qoftë, mos u kthefsh mënjanë.
26 qershor-mbrëmje
“Dhe t’i shpëtoni prishjes që i vjen botës prej epshit.”
{#2 Pjetrit 1:4}
Fshi përgjithmonë çdo mendim për të kënaqur mishin nëse do të doje të jetoje në pushtetin e Zotit tënd të ngjallur. Do të ishte gjë e keqe që një njeri i gjallë në Krishtin të mund të banonte në korruptimin e mëkatit. “Përse po e kërkon të gjallin midis të vdekurve?” i tha engjëlli Magdalenës. A do të jetonte i gjalli në varr? A do të mbahej mbyllur jeta hyjnore në shtëpinë e epshit mishor? Si vallë mund të kemi pjesë në kupën e Zotit dhe prapëseprapë të pijmë kupën e Belialit? Me siguri, besimtar, je çliruar prej mëkateve dhe epsheve të dukshme: a i ke shpëtuar gjithashtu edhe atyre kurtheve djallëzore më të fshehta dhe më mashtruese? A je çliruar prej epshit të krenarisë? A i ke shpëtuar plogështisë? A ke shpëtuar i padëmtuar prej sigurisë mishore? A po kërkon ditë për ditë të jetosh mbi botën, krenarinë e jetës dhe vesin e rrezikshëm të kurnacërisë?
Sill në mendje se është për këtë gjë që je pasuruar me thesaret e Perëndisë. Nëse je me të vërtetë i zgjedhuri i Perëndisë dhe i dashur nga Ai, mos lejo që i gjithë thesari i bollshëm i hirit të shkojë dëm në ty. Ndiq shenjtërinë; është kurora dhe lavdia e të krishterit. Një kishë e pashenjtë, është e padobishme për botën dhe e pavlerësuar midis njerëzve. Është një neveri, përqeshja e ferrit, krupa e parajsës. Djajtë më të këqij që kanë ardhur ndonjëherë në botë janë sjellë aty prej një kishe të pashenjtë. O i krishterë, zotimet e Perëndisë janë mbi ty. Ti je prifti i Perëndisë, vepro si i tillë. Je mbreti i Perëndisë, mposht epshet e tua. Ti je i zgjedhuri i Perëndisë, mos u bashko me Belialin. Parajsa është risku yt, jeto si një frymë qiellore, kështu që do të provosh se ke një besim të vërtetë në Jezus, sepse nuk mund të ketë besim në zemër po të mos ketë shenjtëri në jetë.
Zot, si besimtar dëshiroj të jetoj
Me një emër të blerë me gjak,
Pa frikë, veç se Ty mos të trishtoj,
Pa njohur turp tjetër aspak.
27 qershor-mëngjes
“Vetëm, mos shkoni shumë larg.”
{#Eksodi 8:28}
Kjo është një fjalë dinake prej buzës së një Faraoni kryetiran. Izraelitët e skllavëruar medoemos duhet të dalin jashtë prej Egjiptit, atëherë ai kërkon të merret vesh me ta që të mos shkojnë shumë larg; jo shumë larg për t’i shpëtuar terrorit të armëve të tij dhe ndjekjes së spiunëve të tij. Në të njëjtën mënyrë, bota nuk e do moskonformizmin e moskonformizmit, ose përçarjen e mosmarrëveshjes; do të donte që të ishim më dashamirës dhe të mos silleshim me shumë rreptësi. Vdekja ndaj botës dhe varrosja me Krishtin janë përjetime që mendjet mishore i trajtojnë me përqeshje dhe prandaj urdhëresa që këto të dyja i ka caktuar qartë, është universalisht e lënë pas dore dhe madje edhe dënohet. Urtësia mondane rekomandon udhën e kompromisit dhe flet për “maturi.” Sipas kësaj vije veprimi mishore, pastërtia pranohet si shumë e dëshirueshme por ne paralajmërohemi që të mos jemi me kaq shumë skrupuj; e vërteta patjetër që duhet ndjekur por gabimi nuk ka pse të denoncohet me rreptësi.
“Po,” thotë bota, “jini shpirtërorë me gjithë forcat tuaja, por mos i mohoni vetes pak shoqëri gazmore, ndonjë ballo herë pas here dhe ndonjë vizitë në një teatër, me rastin e Krishtlindjes. Ç’të mirë ka vallë të përbuzësh një gjë që është kaq e modës dhe që ndiqet prej secilit?” Turma me të ashtuquajtur besimtarë ndjekin këtë këshillë tinëzare, për vetë rrënimin e tyre të përjetshëm. Nëse do të donim të ndiqnim tërësisht Zotin duhet të shkojmë menjëherë në shkretëtirën e ndarjes dhe të lëmë mbrapa nesh Egjiptin e botës mishore. Duhet të braktisim fjalët e saj të urta, kënaqësitë e saj dhe fenë e saj dhe të shkojmë tutje në vendin ku Zoti thërret të shenjtët e Tij. Kur qyteti është në zjarr, shtëpia jonë nuk mund të jetë shumë larg prej flakëve. Kur murtaja ka plasur, një njeri nuk mund të jetë larg hijeve të saj. Aq më larg prej një nepërke aq më mirë dhe aq më larg prej përputhjes me botën aq më mirë. Për të gjithë besimtaret e vërtetë, le të bjerë thirrja e trumbetës, “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre.”
27 qershor-mbrëmje
“Secili të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte kur e thirri Perëndia.”
{#1 Korintasve 7 :20}
Disa njerëz marrëzisht mendojnë se e vetmja mënyrë se si ata mund të jetojnë për Perëndinë është duke u bërë pastorë, misionarë ose gra të Biblës. Sa keq! Sa shumë që do të vetëpërjashtoheshin prej mundësisë për të madhëruar Shumëtëlartin nëse do të ndodhte kështu. I dashur, nuk është detyra, është këmbëngulja; nuk është posti, është hiri ai që do të të mundësojë të lavdërosh Perëndinë. Perëndia me siguri që lavdërohet në punishten e këpucarit ku punëtori i zellshëm teksa përdor fëndyellin, këndon për dashurinë e Shpëtimtarit, po, madje lavdërohet shumë më tepër se kur feja zyrtare kryen detyrat e saj të papërfillshme. Emri i Jezusit është i lavdëruar prej një karrocieri të pashkollë që nget kalin e tij dhe bekon Perëndinë e tij ose që ndan me shokët e tij gjatë rrugës, po aq sa prej ungjilltarit i cili përgjatë gjithë vendit, ashtu si Boanergesi, bën që ungjilli të oshtijë.
Zoti është i lavdëruar prej shërbimit tonë në vetë thirrjet tona. Ki kujdes, lexues i dashur, se mos braktisësh udhën e detyrës duke lënë vendin tënd dhe ki kujdes se mos çnderosh besimshprehjen tënde ndërsa je në të. Jepini pak rëndësi vetes suaj, por mos i jepni pak rëndësi thirrjeve tuaja. Çdo punë e ligjshme mund të shenjtërohet prej ungjillit për qëllimet më fisnike. Kthehu te Bibla dhe do të gjesh format më të ulëta të punës të lidhura ose me veprat më të guximshme të besimit ose me njerëzit jetët e të cilëve kanë qenë të shquara për shenjtëri. Kështu që mos jini të pakënaqur me thirrjen tuaj. Çfarëdo që Perëndia t’ju ketë dhënë si detyrë ose si punë, qëndroni në të derisa të jeni të sigurtë se Ai ju thërret për ndonjë gjë tjetër. Kujdesuni që të lavdëroni Perëndinë me gjithë fuqinë që keni atje ku jeni. Mbusheni fushën tuaj të veprimit të tanishme me lavdërimin e Tij dhe nëse ka nevoje për ju në një tjetër vend do t’jua tregojë. Këtë mbrëmje, lini mënjanë ambicien e bezdisshme dhe përqafoni kënaqjen e paqshme.
28 qershor-mëngjes
“Duke i drejtuar sytë te Jezusi.”
{#Hebrenjve 12 :2}
Është përherë vepra e Frymës së Shenjtë të na kthejë sytë prej vetes te Jezusi, por vepra e satanit është pikërisht e kundërta, sepse ai po përpiqet vazhdimisht të na bëjë të shikojmë veten në vend të Krishtit. Ai hedh fjalën, “mëkatet e tua janë tepër të mëdha për t’u falur; nuk ke asnjë besim, nuk pendohesh mjaftueshëm; nuk do të jesh kurrë i aftë të vazhdosh deri në fund; nuk e ke gëzimin e fëmijëve të Tij; ke një besimkapje kaq të lëkundshme të Jezusit.” Të gjitha këto janë mendime në lidhje me veten dhe nuk do të gjejmë kurrë ngushëllim ose sigurinë duke shikuar përbrenda, por Fryma e Shenjtë i kthen sytë tanë tërësisht prej vetes. Na thotë se ne jemi një hiç, por se “Krishti është gjithçka në gjithçka.” Prandaj sill në mendje pra se nuk është besimkapja jote e Krishtit që të shpëton—është Krishti; nuk është gëzimi yt në Krisht që të shpëton—është Krishti; madje nuk është as dhe besimi yt në Krisht edhe pse ai është instrumenti—janë gjaku dhe meritat e Krishtit; prandaj, mos shiko dhe aq shumë te dora me të cilën po mbërthen Krishtin sa te Krishti; mos shiko shpresën tënde, por Jezusin, burimin e shpresës tënde; mos shiko besimin tënd por Jezusin, kreu dhe plotësonjësi i besimit tënd.
Nuk do të gjejmë kurrë lumturi duke shikuar te lutjet tona, veprat tona ose ndjenjat tona; është ajo që Jezusi është dhe jo ajo që jemi që i jep prehje shpirtit. Nëse do të donim menjëherë të mposhtim satanin dhe të kemi paqe me Perëndinë, duhet të jetë “duke i drejtuar sytë te Jezusi.” Mbaji sytë thjesht te Ai; vdekja e Tij, vuajtjet e Tij, meritat e Tij, lavditë e Tij, ndërhyrja e Tij qofshin të freskëta në mendjen tënde; kur zgjohesh në mëngjes shiko te Ai; kur shtrihesh shiko të Ai. Oh! mos lejo që shpresat a druajtjet e tua të ndërhyjnë midis teje dhe Jezusit; ndiqe pa reshtur dhe nuk do të të lërë kurrë në baltë.
Shpresa ime ngrihet lart
mbi gjakun dhe drejtësinë e Jezusit:
s’guxoj edhe më të ëmblës krijesë t’i besoj,
Por tërësisht në emrin e Jezusit qëndroj.
28 qershor-mbrëmje
“Por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.”
{#Eksodi7 :12}
Kjo ngjarje është një simbol mësimdhënës i fitores së sigurtë të dorës hyjnore mbi çdo kundërshtim. Kur një parim hyjnor është derdhur brenda zemrës, edhe pse djalli mund të krijojë një kopje të rremë dhe të prodhojë mizëri kundërshtarësh, po aq e sigurtë sa Perëndia është në punë, Ai do të përpijë të gjithë armiqtë e Tij. Nëse hiri i Perëndisë zotëron një njeri, magjistarët e botës mund të hedhin poshtë të gjithë bastunët e tyre dhe çdo bastun mund të jetë aq dredharak dhe i helmët sa një gjarpër, por bastuni i Aaronit do të gëlltisë bastunët e tyre. Tërheqjet e ëmbla të kryqit do të miklojnë dhe do të fitojnë zemrën e njeriut dhe ai që dikur jetonte vetëm për këtë botë mashtruese, do të ketë tani një sy te sferat e larta dhe krahë për të ngjitur lartësitë qiellore. Kur hiri shfaqet, njerëzit e botës kërkojnë botën tjetër. E njëjta gjë vihet re në jetën e besimtarit. Me çfarë shumice armiqsh që besimit tonë i është dashur të ndeshet!
Mëkatet tona—djalli i hodhi poshtë para nesh dhe ato u shndërruan në gjarpërinj. Çfarë mizërie! Ah, por kryqi i Jezusit i shkatërron ato të gjithë. Besimi në Krisht e ndërpret punën e gjithë mëkateve tona. Më pas djalli ka lëshuar një tjetër ushtri gjarpërinjsh në formën e sprovave të kësaj bote, tundimeve dhe mosbesimit, por besimi në Jezus është një kundërshtar më i fortë dhe i mposht ato të gjithë. I njëjti parim sundues shkëlqen në shërbimin besnik ndaj Perëndisë! Me një dashuri të hareshme për Jezusin, vështirësitë kapërcehen, flijimet bëhen kënaqësi, vuajtjet janë ndere. Mirëpo nëse besimi është kështu një pasion konsumues në zemër, atëherë del si rrjedhim se ka shumë njerëz që pretendojnë se besojnë, por nuk kanë besim, sepse ajo që ata kanë nuk do ta përballojë dot këtë test. Shqyrto veten në këtë pikë, lexuesi im. Bastuni i Aaronit provoi fuqinë e tij të dhënë nga qielli. A po bën kështu besimi yt? Nëse Krishti është diçka, Ai duhet të jetë gjithçka. Oh, mos gjej prehje derisa dashuria dhe besimi në Jezus të jenë kryepasioni i shpirtit tënd!
29 qershor-mëngjes
“Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.”
{#1 Selanikasve 4 :14}
Le të mos na e marrë mendja se shpirti fle i pandjeshëm. “Sot do të jesh me Mua në parajsë,” është pëshpërima e Krishtit ndaj çdo të shenjti në çastet e fundit të jetës. Ata “kanë rënë në gjumë në Jezusin, por shpirtrat e tyre janë përpara fronit të Perëndisë, duke e lavdëruar Atë ditë e natë në tempullin e Tij, duke i kënduar haleluja Atij që i ka larë në gjakun e Tij prej mëkateve të tyre. Trupi fle në shtratin e tij të vetmuar tokësor, poshtë mbulesës së barit, por çfarë është ky gjumë vallë? Ideja që nënkuptohet me gjumin është “prehja” dhe ky është mendimi që Fryma e Perëndisë do të na përcjellë. Gjumi e bën çdo natë një Shabat për ditën. Gjumi mbyll fort derën e shpirtit dhe i urdhëron të gjithë mendimet furacake të pushojnë për pak kohë, me qëllim që jeta përbrenda të hyjë në kopshtin e saj veror të prehjes. Besimtari i dërrmuar nga puna fle qetësisht, ashtu si fëmija e lodhur kur dremit në gjirin e nënës. Oh! Lum ata që vdesin në Zotin; ata do të pushojnë nga mundimi i tyre, sepse veprat e tyre do t’u shkojnë pas. Çlodhja e tyre e qetë nuk do të ndërpritet kurrë derisa Perëndia të ngrihet për t’i dhënë shpërblimin e tyre të plotë.
Të ruajtur prej engjëjsh rojtarë, të ndarë me perde prej misteresh të përjetshme, trashëgimtarët e lavdisë, vazhdojnë të flenë, derisa përmbushja e kohës t’i sjellë plotësinë e shëlbimit. Çfarë zgjimi që do jetë zgjimi i tyre! Ata u vendosën në vendin e tyre të fundit prehës, të lodhur dhe të kapitur, por ata nuk do të zgjohen ashtu. Ata shkuan në prehjen e tyre me ballin vija vija dhe tiparet e mpakura, por ata zgjohen në bukuri dhe lavdi. Fara e rrëgjuar, e zhveshur kaq shumë prej formës dhe hijeshisë, ngrihet prej pluhurit një lule e bukur. Dimri i varrit i lë vendin pranverës së shpengimit dhe verës së lavdisë. E bekuar është vdekja përderisa, me anë të pushtetit hyjnor, na zhvesh prej rrobës së punës për ta na veshur me rrobën e martesës së mosprishjes. Të bekuar janë ata që “kanë rënë në gjumë në Jezusin.”
29 qershor-mbrëmje
“Por kur krerët e Babilonisë i dërguan lajmëtarë për t’u informuar për mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi për ta vënë në provë e për të njohur gjithçka që ishte në zemrën e tij.”
{#2 Kronika 32 :31}
Ezekias po i dukej vetja i madh dhe po krenohej kaq shumë prej favorit të Perëndisë sa vetë-drejtësia u përvodh brenda tij dhe për shkak të sigurisë së tij mishore, hiri i Perëndisë, u tërhoq për një kohë në veprimet e tij më aktive. Kjo është e mjaftueshme për të shpjeguar çmendurinë e tij me Babilonasit, sepse nëse hiri i Perëndisë do të linte qoftë dhe të krishterin më të mirë, ka mjaft mëkat në zemrën e tij për ta kthyer në më të ligun e shkelësve. Nëse mbeteni në veten tuaj, ju që jeni më të ngrohtët për Krishtin do të ftoheshit si Laodicea me një plogështi të sëmurë: ju që jeni të shëndoshë në besim do të ishit të bardhë me lebrën e doktrinës së rreme; ju që tani ecni përpara Zotit në përsosmëri dhe ndershmëri do t’ju merreshin këmbët sa andej këndej dhe do ecnit çapraz me dehjen e pasionit të lig.
Ashtu si hëna, ne e kemi të huazuar dritën tonë; të shkëlqyeshëm ashtu siç jemi kur hiri shkëlqen mbi ne, jemi errësira vetë kur Dielli i Drejtësisë tërhiqet. Prandaj le t’i thërrasim Perëndisë që të mos na lërë kurrë. “Zot, mos e merr prej nesh Frymën e Shenjtë! Mos e tërhiq prej nesh hirin Tënd përbanues! A nuk ke thënë, “Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.” Zot, na ruaj kudo. Na ruaj kur jemi në fushë, që të mos murmurisim ndaj dorës tënde përulëse; na ruaj kur jemi në mal, që të mos bëhemi të shastisur prej lartësimit; na ruaj në rini, kur pasionet tona janë të forta; na ruaj në moshën e vjetër kur na rritet mendja prej urtësisë tonë, që të mos ta tregojmë veten më të pamend se i riu dhe mendjelehti; na ruaj kur jemi duke vdekur, me frikë se mos në çastin e fundit të të mohojmë! Na ruaj kur jetojmë, na ruaj kur japim shpirt, na ruaj kur punojmë, na ruaj kur vuajmë, na ruaj kur luftojmë, na ruaj kur prehemi, na ruaj kudo sepse kudo kemi nevojë për Ty, O Perëndia ynë !”
30 qershor-mëngjes
“Unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë.”
{#Gjoni 17 :22}
Vini re bujarinë shumë të madhe të Zotit Jezus, sepse Ai na ka dhënë gjithçkanë e Tij. Edhe pse një e dhjeta e zotërimeve të Tij do të kishte bërë të pasur një univers engjëjsh përtej çdo përfytyrimi, prapëseprapë Ai nuk ishte i kënaqur derisa të na jepte gjithçka që kishte. Do të kishte qenë hir befasues nëse do na kishte lejuar të hanim prej thërrmijave të dashamirësisë së Tij poshtë tryezës së mëshirës së Tij, por Ai nuk bën asgjë përgjysmë, Ai na bën që të ulemi me Të dhe të marrim pjesë në gosti.
Sikur të na kishte dhënë ndonjë rrogë të vogël prej arkës së Tij mbretërore do të kishim patur shkak për ta dashur përjetësisht, por jo, Ai do që ta ketë nusen po aq të pasur sa Vetja dhe nuk do që të ketë as dhe një lavdi ose një hir në të cilin ajo nuk do të kishte pjesë. Ai nuk ka qenë i kënaqur me më pak se të na bënte bashkëtrashëgimtarë me Të, në mënyrë që të mund të kemi zotërime të barabarta. Ai ka zbrazur të gjithë zotërimin e Tij në arkat e kishës dhe ka gjithçka të përbashkët me të shlyerit e Tij. Nuk ka as dhe një dhomë në shtëpinë e Tij që nuk do t’ua jepte çelësin njerëzve të Tij. Ai i jep atyre liri të plotë për të marrë si të tyren gjithçka që Ai ka; Atij i pëlqen kur ata afrohen me guxim për të marrë prej thesarit të Tij dhe për të bërë të tyren aq shumë sa mund të mbajnë. E gjithë plotësia e pafundme e gjithëmjaftueshmërisë së Tij është po aq falas për besimtarin sa dhe ajri që marrim frymë. Krishti ka vënë gotën e dashurisë dhe hirit të Tij në buzën e besimtarit dhe e fton që të pijë përherë prej saj, sepse nëse do të mundte, do të pranohej me kënaqësi ta pinte deri në fund, por përderisa nuk mund ta shterojë dot, është i ftuar që të pijë me bollëk sepse është e gjitha e tij. Çfarë prove bashkësie më të vërtetë se kaq mund të japë toka ose qielli?
Kur të qëndroj përpara fronit
I veshur në hijeshi jo prej vetes;
Kur të të shikoj ashtu si je,
të të dua me zemër pa mëkat;
Vetëm atëherë, Zot, do njoh plotësisht,
sa shumë që të detyrohem krejtësisht.
30 qershor-mbrëmje
“Ah, Zot, Zot! Ja,Ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për Ty.”
{#Jeremia 32:17}
Në kohën kur kaldeasit rrethuan Jeruzalemin dhe kur shpata, zia e bukës dhe murtaja patën mjeruar vendin, Jeremia u urdhërua prej Perëndisë të blinte një arë dhe të kryente tjetërsimin e pronës ligjërisht me vulë dhe me dëshmitarë. Kjo do të përbënte një blerje të habitshme për një njeri të arsyeshëm. Maturia nuk mund ta justifikonte dot sepse blerësi me zor se do ta gëzonte zotërimin. Mirëpo Jeremisë i mjaftonte urdhri i Perëndia të tij sepse ai e dinte mirë se Perëndia do të justifikohet prej të gjithë fëmijëve të Tij. Ai arsyetoi kështu: “Ah, Zot Perëndi! Ti mund ta bësh të dobishme për mua këtë copë tokë; Ti mund ta pastrosh këtë tokë prej këtyre shtypësve; Ti mund të më bësh të ulem akoma nën vreshtin dhe fikun tim në trashëgiminë që kam blerë, sepse Ti e krijove me të vërtetë qiellin dhe tokën dhe nuk ka asgjë tepër të vështirë për Ty.”
Kjo i dha një madhështi të shenjtëve të hershëm, që guxuan të bëjnë me urdhrin e Perëndisë gjëra që arsyeja mishore do të dënonte. Qoftë Noeu që kishte për të ndërtuar një anije mbi tokë të thatë, Abrahami që kishte për të ofruar birin e tij të vetëm, ose Moisiu që kishte për të përçmuar thesaret e Egjiptit ose Jozueu që kishte për të rrethuar Jerikon shtatë ditë, duke mos përdorur armë por veç gjëmimin e brirëve të dashit, ata të gjithë veprojnë sipas urdhëresës së Perëndisë, kundra diktateve të arsyes mishore; dhe Perëndia i jep një shpërblim të pasur si rezultat i besimit të tyre të bindur. Dashtë Perëndia që të kemi në besimin e këtyre kohërave moderne një përçim me të fuqishëm të këtij besimi heroik në Perëndinë. Nëse do të provonim me guxim premtimin e thjeshtë të Perëndisë do të hynim në një botë mrekullish për të cilën deri këtu kemi qenë të huaj. Vendi i mirëbesimit të Jeremias qoftë yni—Nuk ka asgjë tepër të vështirë për Perëndinë që krijoi qiellin dhe tokën.