Ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt. (Isaia 50:4)
Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara. Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën. (Psalmi 63:5,6)
1 shkurt-mëngjes
“Dhe do të këndojnë rrugët e Zotit.”
{#Psalmi 138:5}
Të krishterët fillojnë të këndojnë rrugët e Zotit kur ata lëshojnë barrën e tyre për herë të parë në këmbën e Kryqit. As edhe këngët e engjëjve nuk duken aq të ëmbla sa kënga e parë rrëmbyese që rrjedh prej brendësisë më të thellë të shpirtit të fëmijës së falur të Perëndisë. Ju e dini se si Gjon Buniani e përshkruan këtë. Ai thotë se kur Shtegtari i gjorë lëshoi barrën e tij në Kryq, kërceu përpjetë tre herë me të madhe dhe vazhdoi rrugën e tij duke kënduar—
Kryq i bekuar! Varr i bekuar! i bekuar Njeriu
Që u poshtërua për mua!
Besimtar, a e mban mend ditën kur zinxhirët e tu ranë poshtë? A e mban mend vendin kur Jezusi të takoi dhe tha, “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; nuk do t’i kujtoj më kurrë.” Oh! çfarë kohë e ëmbël është ajo kur Jezusi largon tutje dhembjen e mëkatit. Kur Zoti së pari fali mëkatin tim, isha aq i gëzuar sa kërceja nga gëzimi. Ndërsa kthehesha për në shtëpi nga vendi ku u çlirova, mendova përgjatë rrugës se më duhet t’i tregoja gurëve në rrugë historinë e çlirimit tim. Kaq plot ishte shpirti im me gëzim sa doja t’i shprehja çdo floku bore që po binte prej qiellit dashurinë e mrekullueshme të Jezusit, që fshiu kështu mëkatet e kryerebelit. Mirëpo nuk është vetëm në fillim të jetës së krishterë që besimtarët kanë arsye për këngë; për aq gjatë sa jetojnë ata gjejnë shkak për të kënduar rrugët e Zotit dhe përjetimi i dashamirësisë së Tij të vazhdueshme i shtyn të thonë, “Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.” Kujdesu vëlla që të madhërosh Zotin këtë ditë.
Për aq gjatë sa shkelim këtë tokë të shkretë,
Mëshira të reja do të kërkojnë këngë të reja.
1 shkurt-mbrëmje
“Dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme…” {#2Samueli 1:26}
Ejani, lexues të dashur, secili prej nesh le të flasë për veten e tij për dashurinë e mrekullueshme, jo të Xhonatanit, por të Jezusit. Nuk do të përmendim çfarë na është thënë, por gjërat që kemi shijuar dhe prekur me dorë në lidhje me dashurinë e Krishtit. Dashuria Jote për mua, o Jezus, ishte e mrekullueshme kur isha një i huaj duke bredhur larg prej Teje, duke përmbushur dëshirat e mishit dhe të mendjes. Dashuria Jote më pengoi të kryeja mëkatin që është për vdekje dhe më ruajti prej vetë-shkatërrimit. Dashuria Jote zmbrapsi sëpatën kur Drejtësia tha, “preje; pse të zërë kot tokën?” Dashuria Jote më tërhoqi në shkretëtirë, më zhveshi atje dhe më bëri të ndjej fajin e mëkatit tim dhe barrën e padrejtësisë sime. Dashuria Jote më foli kaq me ngushëllim ndërsa isha aq shumë i dëshpëruar—“Eja tek Unë dhe Unë do të të jap çlodhje.”
Oh, sa e pashoqe dashuria Jote ndërsa në një çast fshive me të vërtetë mëkatet e mia dhe e bëre shpirtin tim të fëlliqur, që ishte flakë i kuq me gjakun e natyrës sime dhe i zi me zgjyrën e shkeljeve të mia, të jetë i bardhë si bora dhe i pastër si leshi më i mirë. Sa mrekullueshëm që më tregove dashurinë Tënde kur më pëshpërite në vesh, “Jam i yti dhe ti je Imi.” Dashamirëse ishin ato fjalë kur the, “Ati vetë në fakt ju do.” Dhe të ëmbla çastet, tejet të ëmbla kur më shpalle “dashurinë e Frymës.” Shpirti im nuk do të harrojë kurrë ato dhoma shoqërimi ku Ti m’u zbulove. A pati Moisiu të çarën e tij në shkëmb ku pa Perëndinë? Edhe ne gjithashtu kemi pasur të çarat tona në shkëmb, ku kemi parë shkëlqimet e plota të Hyjnisë në personin e Krishtit. A i mban mend Davidi shtigjet e dhive të egra, vendin e Jordanit dhe majat e Hermonit? Ne gjithashtu, mund të kujtojmë vende të shtrenjta të njëjta me këto në bekim. Zoti Jezus i çmuar, na jep të shijojmë dashurinë Tënde të mrekullueshme për ta filluar këtë muaj. Amen.
2 shkurt-mëngjes
“Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.”
{#Hebrenjve 9 :22}
Ky është zëri i së vërtetës të pandryshueshme. Në asnjë prej ceremonive të hebrenjve, mëkatet nuk hiqeshin pa derdhje gjaku, qoftë edhe së jashtmi. Në asnjë rast, në asnjë mënyrë mëkati nuk mund të falet pa shlyerje. Është e qartë atëherë se nuk ka shpresë për mua jashtë Krishtit, sepse nuk ka tjetër derdhje gjaku që ia vlen si shlyerje për mëkatin. A jam atëherë duke besuar te Ai? A është spërkatur në shpirtin tim gjaku i Tij i shlyerjes? Të gjithë njerëzit janë njësoj në lidhje me nevojën e tyre për Të. Edhe sikur të ishim tepër të moralshëm, zemërgjerë, të përzemërt ose patriotë, rregulla nuk do të ndryshohet për të pasur ndonjë përjashtim për ne. Mëkati nuk do t’i dorëzohet asgjëje më pak të fuqishme se sa gjakut të Atij që Perëndia vendosi si shlyerje. Çfarë bekimi që është udha e vetme e shpëtimit! Pse vallë duhet të kërkojmë një tjetër?
Njerëzit me një fe thjesht të jashtme nuk mund të kuptojnë gëzimin tonë se të gjitha mëkatet na janë falur për hir të Krishtit. Veprat, lutjet dhe ceremonitë e tyre i japin ngushëllim të varfër; dhe nuk është për t’u çuditur se nuk janë në paqe, sepse ata po lënë pas dore shpëtimin e madh dhe po përpiqen të marrin faljen pa gjak. Shpirti im, ulu dhe shiko drejtësinë e Perëndisë si e detyruar të dënojë mëkatin; shiko atë dënim të zbatuar të tërin mbi Zotin tënd Jezus dhe bjer poshtë në gëzim të përulur dhe puth këmbën e shtrenjtë të Atij që me gjakun e vet bëri shlyerjen për ty. Është më kot kur ndërgjegjja ngrihet për të gjetur ngushëllim te ndjenjat dhe gjëra të dukshme; ky është zakoni që ne mësuam në Egjiptin e skllavërisë sonë të ligjit. E vetmja gjë që përtërin një ndërgjegje fajtore është një pamje e Jezusit duke vuajtur mbi kryq. “Gjaku është jeta,” thotë ligji levitik dhe le të jemi të sigurtë se është jeta e besimit, e gëzimit dhe e çdo hiri tjetër.
Oh! sa ëmbël të shikoj derdhjen
E gjakut të çmuar të Shpëtimtarit tim;
Duke ditur me siguri hyjnore
Se ka bërë për mua paqe me Perëndinë.
2 shkurt-mbrëmje
“Por këto fakte janë të vjetra.”
{#1 Kronikave 4 :22}
Prapëseprapë jo dhe aq të vjetra sa ato gjëra të çmuara që janë kënaqësia e shpirtrave tanë. Le t’i rinumërojmë për një çast, po ashtu si kurnaci numëron arin e tij. Zgjedhja sovrane e Atit, me anë së cilës Ai na zgjodhi për jetën e përjetshme, ose që kur toka ekziston, është një çështje tejet e vjetër përderisa asnjë kohë e caktuar nuk mund të përfytyrohet nga mendja e njeriut. Ne u zgjodhëm përpara themelimit të tokës. Dashuria e përjetshme pati rol në këtë zgjedhje, sepse nuk ishte thjesht një akt vullneti hyjnor nga i cili u vumë veçan, por u përfshinë edhe ndjenjat hyjnore. Ati na deshi së pari dhe që prej fillimit. Këtu ka një temë për soditje të përditshme. Qëllimi i përjetshëm për të na shpëtuar prej rrënimit tonë të parashikuar, për të na pastruar dhe shenjtëruar dhe së fundmi për të na lavdëruar, i përket një kohe që nuk ka fillim dhe shkon krah për krah me dashuri të pandryshueshme dhe sovranitet absolut.
Besëlidhja është gjithmonë e përshkruar si e përjetshme dhe Jezusi, pala e dytë e besëlidhjes, i ka daljet e Tij prej së lashti; Ai vuri duart në një dorëzanë të shenjtë shumë më përpara se i pari i yjeve të fillojë të shkëlqejë dhe në Të, të zgjedhurit u caktuan për jetën e përjetshme. Kështu, sipas qëllimit hyjnor, një bashkim besëlidhje tejet i bekuar u vendos midis Birit të Perëndisë dhe popullit të Tij të zgjedhur, që do të mbesë si themeli i sigurisë së tyre kur koha nuk do të jetë më. A nuk është vallë mirë të njohësh këto gjëra të vjetra? A nuk është e turpshme se ato janë kaq shumë të lëna pas dore dhe madje të hedhura poshtë prej shumicës nga ata që e quajnë veten të krishterë? Nëse do të dinin më shumë në lidhje me vetë mëkatin e tyre a nuk do të ishin vallë më të gatshëm për të adhuruar hirin përzgjedhës? Le të admirojmë dhe të adhurojmë sonte, teksa këndojmë—
Një monument hiri,
Një mëkatar i shpëtuar me gjak;
Rrjedhën e dashurisë e gjurmoj
deri te Burimi, vetë Perëndia;
Dhe në kraharorin e Tij të shenjtë shikoj
Mendime të përjetshme dashurie për mua.
3 shkurt-mëngjes
“Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit.”
{#Romakëve 8:12}
Si krijesat e Perëndisë, të gjithë i jemi borxhlinj Atij, për t’u bindur ndaj Tij me gjithë trupin, shpirtin dhe forcën tonë. Duke qenë se kemi thyer urdhëresat e Tij, siç me të vërtetë e kemi bërë, i jemi borxhlinj drejtësisë së Tij dhe i detyrohemi kaq shumë sa nuk mundemi ta paguajmë dot. Mirëpo për të krishterin mund të thuhet se nuk i detyrohet gjë drejtësisë së Perëndisë, sepse Krishti ka paguar borxhin e popullit të Tij; për këtë arsye besimtari i detyrohet më tepër dashurisë. Jam borxhli i hirit të Perëndisë dhe mëshirës së Tij falëse, por nuk jam borxhli i drejtësisë së Tij, sepse Ai nuk do të më akuzojë kurrë për një borxh tashmë të paguar. Krishti tha, “U krye!” dhe me këtë donte të thoshte se çfarëdo që populli i Tij kishte borxh u fshi përjetë prej librit së kujtesës. Krishti kënaqi plotësisht drejtësinë hyjnore; llogaria u mbyll; fatura u gozhdua në kryq; borxhi u arkëtua dhe ne nuk jemi më borxhlinj ndaj drejtësisë së Perëndisë. Mirëpo atëherë, edhe pse nuk jemi më borxhlinj kundrejt Zotit në këtë kuptim, bëhemi ndaj Perëndisë dhjetë herë më tepër borxhlinj.
I krishterë, pusho dhe medito mbi këtë për një çast. Çfarë borxhliu që je ndaj sovranitetit hyjnor! Sa shumë që i detyrohesh dashurisë së Tij të dlirë, sepse Ai dha Birin e Tij që të vdiste për ty. Merr në konsideratë sa shumë që i detyrohesh hirit të Tij falës, se edhe mbas dhjetë mijë shkeljesh, Ai të do po aq pafundësisht sa përherë. Merr në konsideratë atë që i detyrohesh fuqisë së Tij, se si të ngriti lart prej vdekjes tënde në mëkat; se si ka ruajtur jetën tënde shpirtërore; se si të ruajti prej rënies dhe edhe pse një mijë armiq të kanë penguar në shtegun tënd, se si ke mundur të vazhdosh rrugën. Merr në konsideratë se çfarë i detyrohesh pandryshueshmërisë së Tij. Edhe pse ke ndryshuar një mijë herë, Ai nuk ka ndryshuar as dhe një herë. Je kaq thellë në borxh sa është e mundur të jesh ndaj çdo atributi të Perëndisë. I detyrohesh Perëndisë me veten tënde dhe gjithçka që ke—jepe veten si një flijim i gjallë, ky është shërbimi yt i arsyeshëm.
3 shkurt-mbrëmje
“Thuamë… ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë.”
{#Kantiku i kantikëve 1 :7}
Këto fjalë shprehin dëshirën e besimtarit mbas Krishtit dhe dëshirën e fortë të tij për shoqërim të tanishëm me Të. Ku e kullot kopenë? Në shtëpinë tënde? Do të shkoj atje, nëse mund të të gjej atje. Në lutje të fshehtë? Atëherë do të lutem pa pushim. Në Fjalën? Atëherë do ta lexoj atë me zell. Në urdhëresat e Tua? Atëherë do të eci në to me gjithë zemrën time. Më thuaj ku e kullot, sepse kudo që qëndron si Bariu, atje do të shtrihem porsi një dele, sepse askush përveçse Teje nuk mund të plotësojë nevojat e mia. Nuk mund të kënaqem duke qenë i ndarë nga Ty. Shpirti im ka uri dhe etje për freskinë e pranisë Tënde. “Ku e lë kopenë të pushojë në mesditë?” sepse qoftë në agim ose në muzg, prehja ime e vetme duhet të jetë atje ku je Ti dhe kopeja jote e dashur.
Prehja e shpirtit tim duhet të jetë një prehje e dhënë prej hirit dhe mund të gjendet vetëm në Ty. Ku është hija e atij shkëmbi? “Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?” Ti ke shokë—pse nuk duhet të jem njëri prej tyre? Satanai më thotë se jam i pavlerë, por unë gjithmonë isha i pavlerë dhe prapëseprapë më ke dashur që më përpara dhe prandaj padenjësia ime nuk mund të jetë një pengesë për të patur shoqërim me Ty tani. Është e vërtetë se jam i dobët në besim dhe i prirur për të rënë, por vetë dobësia ime është arsyeja pse duhet të jem gjithmonë atje ku Ti kullot kopenë, që të mund të forcohem dhe të ruhem në siguri pranë ujërave të qeta. Pse vallë duhet të rri mënjanë? Nuk ka arsye pse duhet ta bëj një gjë të tillë, por ka mijëra arsye pse nuk duhet ta bëj, sepse Jezusi më bën shenjë të vij. Nëse është tërhequr sadopak, është që ta çmoj praninë e Tij më shumë. Tani që jam i pikëlluar dhe i trishtuar ngaqë jam larg prej Tij, Ai do të më udhëheqë gjithsesi përsëri te ai vend ku qengjat e kopesë së Tij janë të strehuar prej diellit përvëlues.
4 shkurt-mëngjes
“Zoti i do (dashuria e Zotit).”
{#Osea 3:1}
Besimtar, vështro prapa përgjatë gjithë përjetimit tënd dhe mendo mbi rrugën në të cilën Zoti Perëndia yt të ka udhëhequr në shkretëtirë dhe se si të ka ushqyer dhe veshur çdo ditë—se si ka duruar karakterin tënd të keq—se si ka duruar gjithë murmuritjet e tua dhe gjithë përmallimet e tua mbas qypave me mish të Egjiptit—se si ka çarë shkëmbin për të të furnizuar dhe se si të ka ushqyer me mana që erdhi poshtë prej qiellit. Mendo se si hiri i Tij ka qenë i mjaftueshëm për ty në të gjitha telashet e tua—se si gjaku i Tij ka falur të gjitha mëkatet e tua—se si fshikulli dhe bastuni i Tij të kanë ngushëlluar. Mbasi ke parë kështu në të kaluarën dashurinë e Zotit, atëherë lëre besimin të vështrojë dashurinë e Tij në të ardhmen, sepse sill në mendje se besëlidhja dhe gjaku i Krishtit kanë diçka më tepër në vetvete se sa e kaluara. Ai që të ka dashur dhe të ka falur, nuk do të reshtë kurrë të të dojë dhe të të falë. Ai është Alfa dhe do të jetë Omega gjithashtu; Ai është i pari dhe do të jetë i fundit.
Prandaj, mbaj mend, kur do të kalosh përmes lëndinës së hijes së vdekjes, nuk ke pse të kesh frikë, sepse Ai është me ty. Kur do të qëndrosh në ujërat e ftohtë të Jordanit, nuk ke pse të kesh frikë, sepse vdekja nuk mund të të ndajë prej dashurisë së Tij; dhe kur të vish te misteret e përjetësisë nuk ke pse dridhesh, “Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” Tani, shpirt, a nuk është dashuria jote e freskuar? A nuk të bën kjo vallë të duash Jezusin? Një shëtitje përmes fushave të pafundme të eterit të dashurisë a nuk ta bën zjarr zemrën dhe të shtrëngon të gjesh kënaqësinë në Zotin Perëndinë tënd? Me siguri se ndërsa përsiatim mbi “dashurinë e Zotit,” zemrat tona digjen përbrenda nesh dhe ne dëshirojmë fort ta duam Atë më shumë.
4 shkurt-mbrëmje
“Vend strehimi për t`i shpëtuar hakmarrësit të gjakut.”
{#Jozueu 20:3}
Thuhet se në tokën e Kananit, qytetet e vendstrehimit ishin të vendosur në mënyrë të tillë që çdo njeri të mund të arrinte një prej tyre brenda një gjysmë dite më së shumti. Po ashtu fjala e shpëtimit tonë është afër nesh; Jezusi është një Shpëtimtar i tanishëm dhe rruga për te Ai është e shkurtër; nuk është gjë tjetër veçse një heqje dorë e thjeshtë nga vetë merita jonë dhe një mbërthim i Jezusit, për të qenë gjithçka në gjithçka. Në lidhje me rrugët e qytetstrehimit na thuhet se ato ruheshin rreptë, çdo lumë ishte me urë dhe çdo pengesë e hequr, kështu që ai që ia mbathte të mund të gjente një kalim të lehtë për në qytet. Një herë në vit pleqtë shkonin përgjatë rrugëve dhe shqyrtonin nëse ishin në rregull në mënyrë që asgjë të mos mund të ndalonte vrapin e cilitdo që kërkonte strehim dhe duke e vonuar të bëhej kështu shkak i kapjes dhe vrasjes së tij. Sa hirshëm që premtimet e ungjillit heqin gurët e pengesës prej rrugës! Kudo që kishte degëzime dhe kthesa, ishin të varura tabela me nënshkrimin—”drejt qytetit të strehimit!” Kjo është një shëmbëlltyrë e rrugës për te Krishti Jezus. Nuk është rruga me kthesa e ligjit; nuk është t’i bindesh asaj, kësaj ose asaj tjetrës; është një rrugë e drejtë: “Beso dhe jeto.” Është një rrugë kaq e vështirë sa asnjë njeri i vetëdrejtë nuk mund ta shkelë, por kaq e lehtë sa çdo mëkatar që e njeh veten e tij si një mëkatar të gjejë nëpërmjet saj rrugën për në qiell. Sapo vrasësi arrinte fortifikimet e qytetit ai ishte i sigurtë; nuk ishte e nevojshme për të që të kalonte brenda mureve, por vetë rrethinat ishin një mbrojtje e mjaftueshme. Mëso pra se nëse prek me të vërtetë cepin e petkut të Krishtit, do të jesh i pacënuar; nëse e kap me një “besim sa një farë sinapi,” do të jesh i sigurtë.
“Pak besim i sinqertë
sjell vdekjen e gjithë mëkateve tona.”
Veç mos humb kohë, mos u sill kot rrugës, sepse hakmarrësi është këmbshpejt dhe ka gjasa që ai të jetë afër teje në këtë orë të qetë mbrëmje.
5 shkurt-mëngjes
“Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës.”
{#1 Gjoni 4 :14}
Është një mendim i ëmbël se Jezu Krishti nuk erdhi pa lejen, autoritetin, pranimin dhe ndihmën e Atit. Ai u dërgua prej Atit, që të mund të ishte Shpëtimtari i njerëzve. Jemi shumë të prirur për ta harruar se, ndërsa ka dallime ne lidhje me personat e Trinitetit, nuk ka dallime në nderin e tyre. Shumë shpesh ia ngarkojmë nderin e shpëtimit tonë, ose së paku thellësitë e mirësisë së Tij, më shumë Jezu Krishtit se sa Atit. Ky është një gabim shumë i madh. Pse erdhi Jezusi? A nuk qe vallë Ati që e dërgoi? Nëse foli mrekullisht, a nuk hodhi vallë Ati hir në buzët e Tij, që të ishte një shërbenjës i zoti i besëlidhjes së re?
Ai që njeh Atin dhe Birin dhe Frymën e Shenjtë ashtu siç duhen njohur, kurrë nuk parapëlqen Njërin përpara Tjetrit; ai i shikon Ata në Betlehem, në Getsemane dhe mbi Kalvar, të gjithë në mënyrë të barabartë në punë në veprën e shpëtimit. O i krishterë, a e ke vendosur mirëbesimin tënd te Njeriu Krishti Jezus? A e ke vendosur mbështetjen tënde vetëm në Të? Dhe a je i bashkuar me Të? Atëherë beso se je i bashkuar me Perëndinë e qiellit. Përderisa je vëllai i Njeriut Krishti Jezus dhe mban shoqërim të ngushtë, je i lidhur kështu me Perëndinë të Përjetshmin dhe “I Lashti i ditëve” është Ati dhe miku yt. A e ke marrë vallë ndonjëherë në konsideratë thellësinë e dashurisë në zemrën e Jehovait, kur Perëndia Ati pajisi Birin e Tij për ndërmarrjen e madhe të mëshirës? Nëse jo, le të jetë kjo përsiatja e ditës tënde. Ati e dërgoi Atë! Sodite këtë gjë. Mendo se si Jezusi zbaton atë që Ati do. Në plagët e Shpëtimtarit gati duke vdekur shiko dashurinë e të madhit Unë Jam. Çdo mendim për Jezusin le të jetë i lidhur gjithashtu me të Përjetshmin, Perëndinë përjetësisht të bekuar, sepse “i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante.”
5 shkurt-mbrëmje
“Në atë kohë Jezusi nisi të thotë.”
{#Mateu 11 :25}
Kjo është një mënyrë e veçantë për të filluar një varg—”në atë kohë Jezusi nisi të thotë.” Nëse shikoni kontekstin nuk del që ndonjëri i bëri ndonjë pyetje, ose që ishte në bashkëbisedim me ndonjërin. Prapëseprapë është e shkruar, “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut.” Kur një njeri përgjigjet, i përgjigjet një njeriu që i ka folur. Kush, atëherë, i foli Krishtit? Ati i Tij. Prapëseprapë një gjë e tillë nuk është e shënuar dhe kjo duhet të na mësojë se Jezusi pati shoqërim të vazhdueshëm me Atin e Tij dhe se Perëndia foli në zemrën e Tij kaq shpesh, kaq vazhdimisht, sa nuk ishte një rrethanë mjaft e veçantë për t’u shënuar. Ishte zakoni dhe jeta e Jezusit të fliste me Perëndinë. Ashtu si Jezusi ishte në këtë botë, po ashtu jemi dhe ne, prandaj le të mësojmë nga kjo thënie e thjeshtë ne lidhje me Të.
Edhe ne paçim po ashtu shoqërim të fshehtë me Atin, kështu që të mund t’i përgjigjemi shpesh dhe edhe pse bota nuk e di se kujt i flasim, të mund t’i përgjigjemi atij zëri të fshehtë të padëgjueshëm prej asnjë veshi tjetër, që vetë veshët tanë, të hapur prej Frymës së Perëndisë, njohin me gëzim. Perëndia na ka folur, le t’i flasim Perëndisë—ose për të vënë vulën tonë se Perëndia është i vërtetë dhe besnik ndaj premtimit të Tij, ose për të rrëfyer mëkatin për të cilin Fryma e Perëndisë na ka bindur, ose për të pohuar mëshirën që providenca e Perëndisë ka dhënë ose për të miratuar të vërtetat e mëdha që Perëndia Fryma e Shenjtë i ka zbuluar kuptimit tonë. Çfarë privilegji që është shoqërimi i ngushtë me Atin e frymëve tona! Është një sekret i fshehur për botën, një gëzim ku edhe miku më i afërt nuk ka pjesë. Nëse do të donim të dëgjojmë pëshpërimat e dashurisë së Perëndisë, veshi ynë duhet të pastrohet dhe të përshtatet për të dëgjuar zërin e Tij. Vetë këtë mbrëmje qofshin zemrat tona në një gjendje të tillë, që kur Perëndia na flet, ashtu si Jezusi, të mund të jemi të përgatitur menjëherë për t’iu përgjigjur.
6 shkurt-mëngjes
“Duke u lutur në çdo kohë.”
{#Efezianët 6:18}
Çfarë shumice lutjesh që kemi ngritur lart që prej çastit të parë kur mësuam të lutemi. Lutja jonë e parë ishte një lutje për vetë ne; kërkuam që Perëndia të ketë mëshirë për ne dhe të fshijë mëkatet tona. Ai na dëgjoi. Mirëpo kur Ai fshiu mëkatet tona ashtu si një re, atëherë ne u lutëm më shumë për veten tonë. Jemi lutur për hir shenjtërues, për hir përmbajtës dhe ruajtës; jemi shtyrë të dëshirojmë me zjarr një siguri të freskët besimi, zbatimin ngushëllues të premtimit, çlirimin në orën e tundimit, ndihmë në kohën e detyrës e në ditën e sprovës. Jemi shtyrë të shkojmë te Perëndia për shpirtrat tanë, duke u përgjëruar vazhdimisht për çdo gjë. Jepni dëshmi, fëmijë të Perëndisë, se askund tjetër nuk keni mundur të merrni ndonjë gjë për shpirtrat tuaja.
Të gjithë ushqimin që shpirti juaj ka ngrënë, ka ardhur poshtë prej qiellit dhe të gjithë ujin që ka pirë është derdhur prej shkëmbit të gjallë—Krishti Jezus, Zoti. Shpirti juaj kurrë nuk është pasuruar nga vetvetja, por ka qenë përherë i varur prej bujarisë së përditshme të Perëndisë; dhe lutjet tuaja janë ngjitur në qiell për një varg mëshirash shpirtërore të pafundme. Nevojat e tua ishin të panumërta, prandaj dhe furnizimet kanë qenë pafundësisht të mëdha dhe lutjet e tua kanë qenë po aq të ndryshme sa mëshirat kanë qenë të pafundme. Më pas, a nuk ke arsye për të thënë, “E dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia?” sepse ashtu siç lutjet e tua kanë qenë të shumta, po ashtu kanë qenë përgjigjet e Perëndisë. Ai të ka dëgjuar në ditën e telashit, të ka forcuar, të ka ndihmuar, madje edhe atëherë kur e ke çnderuar duke u dredhur e duke dyshuar në fronin e mëshirës. Kujto këtë dhe le të mbushë zemrën tënde me mirënjohje për Perëndinë që ka dëgjuar kështu kaq hirshëm lutjet e tua të dobëta. “Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.”
6 shkurt-mbrëmje
“Lutuni për njeri-tjetrin.”
{#Jakobi 5:16}
Si një inkurajim për të ofruar me gëzim lutje ndërmjetësuese, kujto se një lutje e tillë është lutja më e ëmbël që Perëndia dëgjon ndonjëherë, sepse lutja e Krishtit ka këtë karakter. Në të gjithë temjanin që Kryeprifti ynë vendos tani në tymtoren e artë nuk ka as dhe një grimcë për veten e Tij. Ndërhyrja e Tij duhet të jetë më e pranueshmja e të gjitha përgjërimeve—dhe aq më shumë lutja jonë është e ngjashme me atë të Krishtit, aq më e embël do të jetë; kështu që ndërsa peticionet për veten tonë do të pranohen, përgjërimet tona për të tjerët, duke pasur në vetvete më tepër prej fryteve të Frymës, më shumë dashuri, më shumë besim, më shumë dashamirësi vëllazërore, do të jenë, përmes meritave të çmueshme të Jezusit, mblatimi më i ëmbël që mund t’i ofrojmë Perëndisë, vetë dhjami i flijimit tonë. Kujto përsëri se lutja ndërmjetësuese është më se fitimtare.
Çfarë mrekullish që ka kryer! Fjala e Perëndisë gëlon me veprat e saj të mrekullueshme. Besimtar, ke një vegël të fuqishme në dorën tënde, përdore mirë, përdore vazhdimisht, përdore me besim dhe me siguri që do të jesh një mirëbërës për vëllezërit e tu. Kur Mbreti të dëgjon, foli për gjymtyrët vuajtës së trupit të Tij. Kur ke favorin t’i afrohesh shumë pranë fronit të Tij dhe Mbreti të thotë, “Kërko dhe do të të jap çfarë do,” le të jenë peticionet e tua, jo vetëm për ty, por për shumë të tjerë që kanë nevojë për ndihmën e Tij. Nëse ke hir dhe nuk je një ndërmjetësues, ai hir duhet të jetë i vogël si një farë sinapi. Ti ke hir mjaftueshëm, veçse për të lëshuar varkën e shpirtit tënd larg prej rërës së lëvizshme, por nuk ke baticë të thellë hiri se përndryshe do të ngarkoje në barkën tënde një ngarkesë të rëndë të nevojave të të tjerëve dhe për të tjerët do të merrje prej Zotit tënd, bekime të pasura që ata, po të mos ishte prej teje, mund të mos i kishin fituar dot:—
Oh, duart e mia harrofshin aftësinë e tyre,
Gjuha ime qoftë e heshtur, e ftohtë dhe e palëvizshme,
Kjo zemër harroftë të rrahë,
Nëse harroj fronin e mëshirës!
7 shkurt-mëngjes
“Çohuni dhe ikni.”
{#Mikea 2:10}
Ora po afron kur mesazhi do të vije te ne, ashtu si tek të gjithë—”Ngrihu dhe largohu prej shtëpisë ku ke banuar, prej qytetit ku ke punuar, prej familjes tënde, prej miqve të tu. Ngrihu dhe nis udhëtimin tënd të fundit.” Dhe çfarë dimë ne për udhëtimin? Dhe çfarë dimë ne për vendin për ku jemi drejtuar? Kemi lexuar pak për këto dhe diçka na është zbuluar prej Frymës, por sa pak që dimë për botën e ardhshme! Ne dimë se ka një lum të tërbuar dhe të zi i quajtur “Vdekje”. Perëndia na urdhëron ta kalojmë duke premtuar se do të jetë me ne. Dhe çfarë vjen mbas vdekjes? Çfarë bote e mrekullueshme do t’i hapet vështrimit tonë të habitur? Çfarë pamje lavdie do t’i shpaloset shikimit tonë? Asnjë udhëtar nuk është kthyer për të na e treguar. Mirëpo ne dimë mjaftueshëm mbi tokën qiellore për ta mirëpritur ftesën me gëzim dhe hare.
Shtegëtimi i vdekjes mund të jetë i errët, por ne mund të shkojmë përpara pa frikë duke ditur se Perëndia është me ne teksa ecim përmes luginës së hijes së vdekjes dhe prandaj nuk kemi pse të frikësohemi. Do të ndahemi prej të gjithë atyre që kemi njohur dhe kemi dashur këtu, por do të shkojmë te shtëpia e Atit tonë—në banesën e Atit tonë, atje ku gjendet Jezusi—te ai “qytet që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.” Kjo do të jetë zhvendosja jonë e fundit, për të banuar përjetë me Atë që duam, në mesin e popullit të Tij, në praninë e Perëndisë. I krishterë, përsiat shumë mbi qiellin, do të të ndihmojë të mëshosh përpara dhe të harrosh mundin e udhës. Kjo luginë lotësh nuk është veçse shtegu drejt një vendi më të mirë; kjo botë trishtimi nuk është veçse një shkallare drejt një bote lumnie.
Na përgatit, Zot, me hir hyjnor,
Lart për të ndritshmin oborr
Më pas urdhëro frymën tonë të ngrihet
T’i bashkohet korit qiellor.
7 shkurt-mbrëmje
“Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart””.
{#Zbulesa 11 :12}
Pa i konsideruar këto fjalë në kuptimin e tyre profetik, le t’i shikojmë si një ftesë e Pararendësit tonë të madh ndaj popullit të Tij të shenjtëruar. Në kohën e duhur do të dëgjohet “një zë i madh nga qielli” për çdo besimtar, duke thënë, “Ngjitu këtu lart.” Kjo gjë duhet të jetë për shenjtorët një subjekt i gëzuar parapritjeje. Ne vend që të kemi frikë kohën kur do të lëmë këtë botë për të shkuar te Ati, duhet që të gulçojmë për çastin e çlirimit tonë. Kënga jonë duhet të jetë—
Zemra ime është me Të në fronin e Tij,
Dhe nuk duhet pritur më;
Çdo çast duke dëgjuar zërin,
“Ngrihu dhe nisu.”
Nuk jemi thirrur poshtë në varr, por lart në qiej. Frymët tona të lindura prej së larti duhet të gulçojnë për ajrin e tyre të vendlindjes. Prapëseprapë ftesat qiellore duhet të priten me durim. Perëndia ynë e di më mirë kur të na urdhërojë “Ngjituni këtu lart.” Ne nuk duhet të dëshirojmë të paradatojmë periudhën e largimit tonë. E di se dashuria e fortë do të na bëjë të thërrasim,
O Zot i ushtrive, çaj dallgët
Dhe na ul të gjithëve në qiell;
Mirëpo durimi duhet të kryejë në ne një vepër të përsosur. Perëndia cakton me urtësi të kujdesshme kohën më të përshtatshme për të shpenguarit për qëndrimin e tyre këtu poshtë. Me siguri, nëse do të kishte keqardhje në qiell, kjo do të ishte trishtimi i shenjtorëve se nuk jetuan këtu më gjatë për të bërë më shumë vepra të mira. Oh, për më tepër duaj në hambarin e Zotit tim! më tepër gurë të çmuar për kurorën e Tij! Po si mund të ndodhë kjo, nëse nuk ka më shumë punë? Është e vërtetë, kemi dhe anë tjetër të medaljes, se duke jetuar më pak vite, mëkatet tona janë më të pakët, por oh! kur jemi duke shërbyer plotësisht Perëndinë dhe Ai na jep të shpërndajmë farë të çmueshme dhe të korrim njëqindfish, atëherë ne themi se është mirë për ne të qëndrojmë aty ku jemi. Nëse Mjeshtri ynë thotë “shko”, ose “qëndro”, le të jemi të kënaqur për aq gjatë sa kemi praninë e Tij.
8 shkurt-mëngjes
“Do t’ia vësh emrin Jezus.”
{#Mateu 1:21}
Kur një person është i shtrenjtë, çdo gjë e lidhur me të bëhet e shtrenjtë për hir të tij. Kështu, kaq i çmuar është personi i Zotit Jezus në vlerësimin e të gjithë besimtarëve të vërtetë sa çdo gjë në lidhje me Të, ata e konsiderojnë si tejet të çmuar. “Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie” thotë Davidi, sikur vetë veshja e Shpëtimtarit të ishte kaq e parfumosur për shkak të Atij që i mbante veshur, sa ai nuk mund të mos ta donte. Është e sigurtë se nuk ka një vend ku ajo këmbë e shenjtë ka shkelur—nuk ka një fjalë që ato buzë të bekuara kanë shqiptuar—as dhe një mendim që Fjala e Tij e dashur ka zbuluar—që nuk është për ne e çmueshme përtej çdo përfytyrimi.
Dhe kjo është e vërtetë për emrat e Krishtit—ato janë të gjithë të ëmbël në veshin e besimtarit. Qoftë i thirrur Bashkëshorti i Kishës, Dhëndri i saj, Shoku i saj; qoftë i thirrur Qengji i therur që prej themelimit të botës—Mbreti, Profeti, ose Prifti—çdo titull i Mjeshtrit tonë—Shiloh, Emanuel, i Mrekullueshëm, Këshilltari i fuqishëm—çdo emër është si kosherja që rrjedh mjaltë dhe të shijshme janë pikat që bien prej saj. Mirëpo, nëse ka një emër më të ëmbël se çdo emër tjetër në veshin e besimtarit, është emri i Jezusit. Jezus! është emri që nxjerr melodi nga harpat e qiellit. Jezus! jeta e gjithë gëzimeve tona. Nëse ka një emër më të hirshëm e më të çmueshëm se një tjetër, është pikërisht ky emër. Është i endur në pëlhurën e psalmeve tona. Shumë prej himneve tona fillojnë me Të dhe rrallë ndonjë që ia vlen nuk mbaron pa Të. Është përmbledhja e të gjitha kënaqësive tona. Është muzika me anë të cilës kambanat e qiellit tringëllojnë; një këngë në një fjalë; një oqean për kuptimin, edhe pse një pikë e vetme; një oratorio e pashoqe në dy rrokje; një përmbledhje e halelujave të përjetësisë në pesë gërma.
Jezus e dua emrin Tënd të dashur,
Është muzikë për veshin tim.
8 shkurt-mbrëmje
“Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre.”
{#Mateu 1:21}
Shumë veta, nëse pyeten se çfarë kuptojnë me shpëtim, do të përgjigjen, “të jesh i shpëtuar prej ferrit dhe të shkosh në parajsë.” Ky është një rezultat i shpëtimit, por nuk është as dhe një e dhjeta e asaj që ky bekim përmban. Është e vërtetë se Zoti ynë Jezu Krisht shpëton popullin e Tij nga zemërimi i ardhshëm; Ai i shpëton prej dënimit të frikshëm që mëkatet e tyre kanë sjellë për ta, por triumfi i Tij është shumë më i plotë se ky. Ai shpëton popullin e Tij “nga mëkatet e tyre.” Oh! çfarë çlirimi i ëmbël prej armiqve tanë më të këqij. Atje ku Krishti kryen një vepër shpëtuese, Ai hedh satanain prej fronit të tij dhe nuk do ta lërë më gjatë të jetë padron. Asnjë nuk është një i krishterë i vërtetë nëse mëkati mbretëron në trupin e tij të vdekshëm.
Mëkati do të jetë brenda nesh—kurrë nuk do të përjashtohet plotësisht derisa fryma hyn në lavdi, por kurrë nuk do të ketë sundim. Do të ketë një përpjekje për sundim—një luftë kundër ligjit të ri dhe frymës së re që Perëndia ka ngulitur—por mëkati nuk do të dalë kurrë fitimtar aq sa të jetë monark absolut në natyrën tonë. Krishti do të jetë Zoti i zemrës dhe mëkati duhet kryqëzuar. Luani i fisit të Judës do të dalë fitimtar dhe dragoi do të flaket jashtë. Ti që shpall se je besimtar! a është mëkati i nënshtruar brenda teje? Nëse jeta jote është e pashenjtë zemra jote është e pandryshuar dhe nëse zemra jote është e pandryshuar, atëherë je i pashpëtuar. Nëse Shpëtimtari nuk të ka shenjtëruar, nuk të ka ripërtëritur, nuk të ka dhënë një urrejtje ndaj mëkatit dhe një dashuri për shenjtërinë, atëherë Ai nuk ka bërë asgjë në ty që mund t’i ngjasojë një karakteri shpëtimtar. Hiri që nuk e bën një njeri më të mirë se të tjerët është një kallp i pavlerë. Krishti shpëton popullin e Tij, jo në mëkatet e tyre, por prej tyre. “Pa shenjtërimin, askush nuk ka për të parë Perëndinë.” “Le t`i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit.” Nëse nuk jemi shpëtuar nga mëkati, si do të shpresojmë vallë të numërohemi mes popullit të Tij. Zot, më shpëto tani nga çdo e ligë dhe më mundëso të nderoj Shpëtimtarin tim.
9 shkurt-mëngjes
“Davidi u këshillua me Zotin.”
{#2 Samueli 5:23}
Kur Davidi kreu këtë këshillim, ai sapo kishte luftuar kundër filistinëve dhe kishte marrë një shenjë fitoreje. Filistinët u shfaqën përsëri në mori të mëdha, por me ndihmën e Perëndisë Davidi lehtësisht i bëri që t’ia mbathnin këmbëve. Megjithatë, vëre se kur erdhën për herë të dytë, Davidi nuk u nis t’i përballonte pa këshilluar Zotin. Një herë ai kishte dalë fitimtar dhe shumë mirë mund të kishte thënë ashtu si shumë të tjerë në raste të tjera, “Do të jem fitimtar përsëri; mund të jem i qetë se nëse mposhta një herë do të triumfoj akoma. Kështu që nuk ka pse të kërkoj Zotin përsëri?” Davidi nuk u soll kështu. Ai pati fituar një betejë me anë të forcës së Zotit; nuk do të guxonte një tjetër betejë derisa ta kishte të sigurtë përsëri fitoren. Ai kërkoi si këshillë, “A duhet të ngjitem kundër atyre?” Ai priti derisa u dha shenja e Perëndisë. Mëso prej Davidit për të mos bërë asnjë hap pa Perëndinë.
I krishterë, nëse do të doje të njihje rrugën e detyrës, merr Perëndinë për busullën tënde; nëse do të doje të drejtoje anijen tënde përmes shkulmeve të errëta, vëre timonin në dorën e të Plotfuqishmit. Do të shpëtoheshim prej shumë shkëmbinjve, nëse do të linim Atin tonë të drejtonte; shumë batulla ose rëra të lëvizshme do të mënjanoheshin, nëse do t’ia besonim vullnetit të Tij sovran të zgjidhte dhe të urdhëronte. Puritani tha, “Me siguri se sa herë që një i krishterë çan vetë rrugën, vetë gishtat e vet do të presë;” kjo është një e vërtetë e madhe. Një tjetër besimtar i vjetër tha, “Ai që shkon përpara resë së providencës së Perëndisë shkon me porosinë e një të çmenduri;” dhe kjo është shumë e vërtetë. Ne duhet të dallojmë providencën e Perëndisë duke na udhëhequr; dhe nëse providenca ndalon, ndalo atëherë derisa providenca të vijë. Ai që shkon përpara providencës, do të kishte dashur më mirë të kthehej mbrapsht. “Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh,” është premtimi i Perëndisë ndaj njerëzve të Tij. Atëherë le t’i çojmë Zotit gjithë shushatjet tona dhe ti themi, “Zot, ç`don ti të bëj unë?” Mos dil nga dhoma jote këtë mëngjes pa u këshilluar me Zotin.
9 shkurt-mbrëmje
“Mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu.”
{#Lluka 11 :4}
Ç’ka jemi mësuar të kërkojmë ose të mënjanojmë në lutje, duhet po ashtu ta ndjekim ose ta lëmë pas dore në veprim. Prandaj me shumë zell, duhet t’i shmangemi tundimit, duke kërkuar të ecim me kujdes në udhën e bindjes, që të mos ngasim kurrë djallin për të na tunduar. Ne nuk duhet të hyjmë në korije në kërkim të luanit. Mund ta paguajmë shumë shtrenjtë një mendjemadhësi të tillë. Ky luan mund të ndeshë udhën tonë ose të kërcejë mbi ne prej korijes, por nuk duhet në asnjë mënyrë ta kërkojmë vetë. Ai që e ndesh, edhe nëse del fitimtar, do t’i duket një dyluftim i ashpër. Le të lutet i krishteri që t’i kursehet ky ballafaqim. Shpëtimtari ynë që pati përjetuar se çfarë do të thotë tundimi, me këmbëngulje i bëri thirrje dishepujve të Tij—”Lutuni që të mos bini në tundim.”
Mirëpo edhe kur bëjmë atë që duhet, prapëseprapë do të tundohemi, prandaj dhe lutja “na shpëto nga i ligu.” Perëndia pati një Bir pa mëkat, por nuk ka bir pa tundim. Njeriu natyror është i lindur për të pasur telashe po me aq siguri sa shkëndijat fluturojnë lart dhe njeriu i krishterë është i lindur për t’u tunduar po aq me siguri. Duhet t’i kemi gjithmonë sytë katër kundër satanait, sepse, ashtu si një hajdut, nuk lajmëron për afrimin e tij. Besimtarët që nga përvoja i njohin mënyrat e satanait e dinë se ka ca periudha kur ai me shumë gjasa do të sulmojë po ashtu si në disa periudha priten erëra të ftohta; kështu që i krishteri është i paralajmëruar dyfish për shkak të rrezikut dhe rreziku shmanget duke u përgatitur për ta ndeshur atë. Parandalimi është më mirë se shërimi; është më mirë që të jesh aq mirë i armatosur sa djalli nuk do të sulmojë se sa të durosh rreziqet e luftimit, edhe pse del fitimtar. Lutu këtë mbrëmje së pari që të mos biesh në tundim dhe më pas nëse bie, të mund të shpëtosh nga i ligu.
10 shkurt-mëngjes
“Di edhe të jetoj edhe në bollëk.”
{#Filipianët 4 :12}
Ka shumë që dinë se si “të jenë të përunjur” dhe që nuk kanë mësuar “se si të jetojnë edhe në bollëk.” Kur vihen në majë të një pinakulli atyre i trulloset mendja dhe janë gati për t’u rrëzuar. I krishteri çnderohet shumë më shpesh në begati se sa në kundërshti. Është një gjë e rrezikshme të jesh i begatë. Furrnalta e kundërshtisë është një sprovë më pak e ashpër për një të krishterë se sa rafinimi i begatisë. Oh, çfarë thatësi shpirtërore dhe lënie pas dore të gjërave shpirtërore kanë ardhur përmes vetë mëshirave dhe mirësive të Perëndisë! Prapëseprapë kjo nuk është një çështje mungesash, sepse apostulli na thotë se dinte se si të jetonte edhe në bollëk. Kur pati shumë, ai e dinte se si ta përdorte ç’ka kishte. Hiri i bollshëm e mundësoi të mbante mbrothësinë e bollshme. Kur pati vela të shpalosura, ishte i ngarkuar me mjaft balast dhe kështu që lundroi me siguri.
Nuk mjafton veç aftësia njerëzore për të mbajtur me një dorë të fortë kupën e mbushur të gëzimit të kësaj bote, prapëseprapë Pali e pati mësuar këtë gjë, sepse ai deklaron, “për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri.” Është një mësim hyjnor të dish se si të jesh i ngopur, sepse izraelitët një herë ishin të ngopur, por ndërsa mishi ishte akoma në gojën e tyre, zemërimi i Perëndisë erdhi mbi to. Shumë kanë kërkuar për mëshira me qëllim që të mund të kënaqin epshet e zemrës së tyre. Kur kemi shumë prej mëshirave të providencës së Zotit, ndodh shpesh të kemi veçse pak prej hirit të Perëndisë dhe pak mirënjohje për mirësitë që kemi marrë. Jemi të nginjur dhe harrojmë Perëndinë; të kënaqur me tokën, jemi të gëzuar të bëjmë pa qiellin. Të jeni të sigurtë se është më e vështirë të dish të jetosh në bollëk se sa në nevojë—kaq e madhe është prirja e natyrës njerëzore drejt krenarisë dhe harresës së Perëndisë. Ki kujdes që të kërkosh në lutjet e tua që Perëndia të të mësojë që të nginjesh.
“Mos lejo që hiret e dashurisë Tënde
Të ftohin zemrën time ndaj Teje”
10 shkurt-mbrëmje
“I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek Unë, sepse Unë të kam çliruar.”
{#Esai 44 :12}
Vëre me kujdes krahasimin mësimdhënës; mëkatet tona janë si një re. Ashtu si retë janë prej shumë formash dhe nuancash, po ashtu janë edhe shkeljet tona. Ashtu si retë errësojnë dritën e diellit, peisazhin poshtë, po ashtu dhe mëkatet tona fshehin prej nesh dritën e fytyrës së Jehovait dhe na bëjnë që të ulemi nën hijen e vdekjes. Ato janë gjëra të lindura prej botës dhe ngrihen prej vendeve me baltë të natyrës sonë; dhe kur mblidhen aq sa masa e tyre është e plotë, na kërcënojnë me stuhi dhe tufanë. Sa keq! se, ndryshe nga retë, mëkatet tona nuk na lëshojnë shira të këndshëm, por na kërcënojnë të na përmbytin me ujra të tërbuar shkatërrimi. O ju re të zeza të mëkatit, si mund të ketë vallë mot të mirë në shpirtrat tanë, ndërsa ju jeni akoma aty?
Le të ndalojë syri ynë i gëzueshëm mbi veprën e dalluar të mëshirës hyjnore—”i fshiva.” Vetë Perëndia shfaqet përpara dhe në dashamirësinë e Tij, në vend që të shfaqë pezmatimin e Tij, zbulon hirin e Tij; menjeherë dhe përjetë heq efektshmërisht të keqen, jo duke e larguar renë, por duke e fshirë atë një herë e përgjithmonë. Kundër njeriut të drejtësuar nuk mbetet asnjë mëkat, marrëveshja e madhe e kryqit ka hequr përjetësisht prej tij mëkatet. Në majën e Kalvarit vepra e madhe, me anë të cilës mëkati i të gjithë të zgjedhurve u hoq njëherë e përgjithmonë, u krye plotësisht dhe efektshmërisht.
Në mënyrë praktike le t’i bindemi urdhërimit të hirshëm, “kthehu tek Unë.” Pse vallë mëkatarët e falur duhet të jetojnë larg Perëndisë të tyre? Nëse jemi falur prej gjithë mëkateve tona, frika ligjore le të mos na pengojë prej afrimit të guximshëm te Zoti ynë. Le të vajtojmë prej pabesive, por le të mos vazhdojmë në to. Le të përpiqemi me forcë, në fuqinë e Frymës së Shenjtë, për t’u kthyer sa më afër që të jetë e mundur te shoqërimi me Zotin. O Zot, na ripërtëri këtë mbrëmje!
11 shkurt-mëngjes
“I njihnin se kishin qenë me Jezusin.”
{#Veprat 4:13}
Një i krishterë duhet të ketë një ngjashmëri domethënëse me Jezu Krishtin. Keni lexuar për jetët e Krishtit të shkruar shumë bukur dhe me shumë gojëtari, por jeta më e mirë e Krishtit është biografia e Tij e gjallë, e shkruar në fjalët dhe veprimet e popullit të Tij. Nëse do të ishim ç’ka pretendojmë se jemi, atëherë do të ishim imazhet e Krishtit; po aq shumë të ngjashëm me Të sa bota nuk do të hezitonte duke thënë “Epo mirë, sikur i ngjajnë pak;” por sapo do të na shihnin do të thërrisnin menjëherë, “E njohim se ka qenë me Jezusin; është mësuar nga Ai; është si Ai, ka kuptuar thelbin e Njeriut të shenjtë të Nazaretit dhe e vë në praktikë në jetën e tij dhe në veprimet e tij të përditshme.” Një i krishterë duhet të jetë si Krishti në guximin e Tij. Mos të të vijë kurrë turp për besimin tënd; besimi yt nuk do të të bëjë kurrë me turp dhe ki kujdes që të mos ta njollosësh. Ji si Jezusi, shumë trim për Perëndinë tënd. Imitoje Atë duke pasur një frymë dashamirëse, mendo me mirësi, fol me mirësi dhe vepro me mirësi, që njerëzit të thonë për ty, “Ka qenë me Jezusin.”
Imito Jezusin në shenjtërinë e Tij. A ishte Ai i zellshëm për Mjeshtrin e Tij? Po ashtu ji dhe ti; bëj përherë mirë. Mos e lër kohën të humbasë kot; është shumë e çmueshme. A nuk ishte Ai vallë vetë mohues, duke mos u kujdesur kurrë për interesin e vet? Ji edhe ti ashtu. A ishte i devotshëm? Ji edhe ti i zjarrtë në lutjet e tua. A kishte Ai nderim për vullnetin e Atit të Tij? Po ashtu nënshtroja veten Atij. A ishte i duruar? Po ashtu mëso të durosh. Dhe më e mira nga të gjitha duke qenë ngjasimi më i lartë me Jezusin, përpiqu të falësh armiqtë e tu, po ashtu si Ai; dhe ato fjalë sublime të Mësuesit tënd, “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë,” tingëllofshin përherë në veshët e tu. Fal po ashtu si shpreson të jesh i falur. Mblidh thëngjij të nxehtë mbi kokat e armiqve të tu me anë të mirësisë tënde për ta. Ta kthesh të keqen me të mirë, mos e harro, është e perëndishme. Ji i perëndishëm pra, në të gjitha shtigjet dhe me anë të gjithë mënyrave, jeto kështu, që të gjithë të thonë për ty, “Ka qenë me Jezusin.”
11 shkurt-mbrëmje
“Dashurinë tënde të parën e le.”
{#Zbulesa 2 : 4}
Për t’u kujtuar përherë është ajo ora më e shkëlqyeshme dhe më e përzgjedhur se të tjerat, kur pamë Zotin për herë të parë, humbën barrën tonë, morëm librin e premtimeve, u gëzuam në shpëtimin e plotë dhe vazhduam përpara në paqe. Ishte pranverë në shpirt; dimri kishte kaluar; krismat e bubullimave të Sinait u qetësuan; flakërimet e vetëtimave të tij nuk u dukën më; Perëndia shikohej tashmë si i pajtuar me ne; ligji nuk kërcënonte me hakmarrje, drejtësia nuk kërkonte dënim. Atëherë lulet u shfaqën në zemrat tona; shpresë, dashuri, paqe dhe durim çelën prej dheut; zymbyli i pendimit, lulebora e shenjtërisë së pastër, zambaku i besimit të artë, narcisi i dashurisë së hershme, të gjitha këto zbukuruan kopshtin e shpirtit.
Koha e këngës së zogjve kishte ardhur dhe ne u gëzuam me falënderim; ne madhëruam emrin e shenjtë të Perëndisë tonë falës dhe vendimi ynë ishte, “Zot, jam i yti, i gjithë i yti; gjithçka që jam dhe gjithçka që kam do të ta përkushtoj. Më ke blerë me gjakun Tënd—le të konsumohem dhe të derdhem në shërbimin tënd. Në jetë dhe në vdekje me lër që të jem i përkushtuar ndaj Teje. “Si e kemi ruajtur këtë vendim? Dashuria jonë martesore digjej me një flakë të shenjtë përkushtimi për Jezusin—a është e njëjta gjë tani? A nuk do të na thoshte vallë Jezusi me të drejtë, “Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le?” Sa keq! është pak ajo që kemi bërë për lavdinë e Mjeshtrit tonë. Dimri ynë ka zgjatur tepër. Jemi po aq të ftohtë sa akulli ndërkohë që duhet të ndjenim ngrohtësinë e verës dhe të lulëzonim me lule të shenjta. I japim Perëndisë pak ndërsa Ai meriton shumë, jo, madje Ai meriton gjakun e zemrës sonë për t’u derdhur në shërbimin e kishës së Tij dhe të vërtetës së Tij. Mirëpo a do të vazhdojmë kështu? O Zot, mbasi na ke bekuar kaq begatshëm, a do të jemi vallë mosmirënjohës dhe mospërfillës për kauzën dhe punën Tënde të mirë? Oh na gjallëro që të mund të kthehemi te dashuria jonë e parë dhe të bëjmë veprat tona të para! Na dërgo një pranverë të mrekullueshme, o Diell i Drejtësisë.
12 shkurt-mëngjes
“Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.”
{#2 Korintasve 1 :5}
Ka një përpjesëtim të bekuar. Sunduesi i Providencës mban një peshore, nga njëra anë vë sprovat e popullit të Tij dhe në anën tjetër vë ngushëllimet e tyre. Kur ana e sprovës është gati e zbrazur, do të gjeni anën e ngushëllimit në pothuajse të njëjtën gjendje; dhe kur ana e sprovës është plot, do të gjeni anën e ngushëllimit po aq të rëndë. Kur retë e zeza mblidhen dendur, drita na zbulohet më shkëlqyeshëm. Kur errësira dhe stuhia afrohet, Kapiteni Qiellor është gjithmonë më afër me ekuipazhin e Tij. Është një gjë e bekuar se pikërisht kur jemi më shumë të dëshpëruar, atëherë ngrihemi akoma më lart prej ngushëllimeve të Frymës. Një arsye është ngaqë sprovat bëjnë më shumë vend për ngushëllimin. Zemra të mëdha mund të bëhen vetëm me telashe të mëdha. Beli i trazirës gërmon më thellë rezervuarin e ngushëllimit dhe bën më shumë vend për ngushëllimin. Perëndia vjen në zemrën tonë—e gjen plot—Ai fillon të thyejë ngushëllimet tona dhe ta bëjë të zbrazët; atëherë ka më shumë vend për hir. Aq më i përulur një njeri gjendet, aq më shumë do të ketë përherë ngushëllim, sepse në këtë mënyrë është më i përshtatur për ta marrë atë.
Një tjetër arsye se pse jemi shpesh shumë të lumtur në telashet tona është kjo—në këtë kohë kemi shoqërim më të ngushtë me Perëndinë. Kur hambari është plot, njeriu mund të jetojë pa Perëndinë; kur kuleta po shpërthen me ar, ne përpiqemi të bëjmë pa dhe aq shumë lutje. Mirëpo na merr bimën që na bën hije dhe atëherë duam Perëndinë tonë; na hiq idhujt prej shtëpisë, atëherë jemi të shtrënguar të nderojmë Jehovain. “Nga vende të thella unë të këlthas ty, o Zot.” Nuk ka këlthitje më të mirë se sa ajo që vjen prej thellësisë së maleve; nuk ka lutje aq me zemër sa ajo që vjen prej thellësive të shpirtit, përmes sprovave dhe trishtimeve të thella. Pra ato na sjellin te Perëndia dhe ne jemi më të lumtur, sepse afërsia me Perëndinë është lumturi. Eja, besimtar i trazuar, mos u shqetëso prej telasheve të tua të mëdha, sepse ato janë kasnecët e mëshirave akoma më të mëdha.
12 shkurt-mbrëmje
“Ai do t`ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju.”
{#Gjoni 14 :16}
Ati i Madh ia zbuloi Veten e Tij besimtarëve të vjetër përpara ardhjes së Birit të Tij dhe iu bë i njohur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit si Perëndia i Plotfuqishëm. Më pas erdhi Jezusi dhe Biri i bekuar përjetë në vetë personin e Tij, ishte ëndja e syve të popullit të Tij. Në kohën e ngjitjes lart të Shpenguesit, Fryma e Shenjtë u bë kreu i hirdhënies së tanishme dhe fuqia e Tij u shfaq lavdishëm në dhe pas Rrëshajave. Ai mbetet edhe në këtë çast Emanueli i pranishëm—Perëndia me ne, duke qëndruar në dhe me popullin e Tij, duke ripërtërirë, duke udhëhequr dhe duke sunduar në mesin e tyre. A është e njohur prania e Tij ashtu siç duhet të jetë? Ne nuk mund të kontrollojmë dot veprën e Tij; Ai është sovran në gjithë veprimet e Tij, por a jemi ne mjaftueshëm të merakosur për të fituar ndihmën e Tij, ose mjaftueshëm vigjilentë që të mos ta provokojmë sa të tërheqë ndihmën e Tij?
Pa Të ne nuk mund të bëjmë asgjë, por me anë të energjisë së Tij të fuqishme mund të prodhohen rezultatet më të jashtëzakonshme; çdo gjë varet nga shfaqja ose fshehja e pushtetit të Tij. A e kërkojmë përherë si për jetën tonë të brendshme ashtu dhe për shërbimin tonë të jashtëm me varësinë e respektueshme dhe ashtu si duhet? A nuk vrapojmë shpesh pa thirrjen e Tij dhe veprojmë pavarësisht ndihmës së Tij? Le të përulemi këtë mbrëmje për shkak të neglizhencave të kaluara dhe t’i përgjërohemi vesës qiellore të qëndrojë te ne, vajit të shenjtë të na vajosë, flakës qiellore të digjet brenda nesh. Fryma e Shenjtë nuk është dhuratë e përkohshme, Ai qëndron me shenjtorët. Nuk kemi veçse ta kërkojmë Atë ashtu siç duhet dhe Ai do të bëjë që të gjendet prej nesh. Ai është xheloz, por është i mëshirshëm; nëse largohet në zemërim, kthehet në mëshirë. Begenisës dhe i butë, Ai nuk lodhet prej nesh, por pret që të jetë akoma i hirshëm.
Mëkati ka goditur zemrën time
të ngurtë, dashuri zbrazur,
Hiri furnizues na u dhëntë prej së larti.
13 shkurt-mëngjes
“Shikoni ç`dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur Atë.”
{#1 Gjoni 3:1}
“Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati.” Merrni në konsideratë se kush ishim dhe çfarë ndjejmë se jemi edhe tani ndërsa korruptimi është i fuqishëm brenda nesh dhe atëherë adoptimi ynë me të vërtetë që është çudi. Prapëseprapë ne quhemi “bij të Perëndisë.” Çfarë marrëdhënie e lartë që është ajo e një biri dhe çfarë privilegjesh që sjell! Çfarë përkujdesje dhe butësi që biri pret prej të atit dhe çfarë dashurie ati ndjen kundrejt birit! Mirëpo të gjithë këtë dhe më shumë se këtë, e kemi përmes Krishtit.
Përsa i përket dobësisë së përkohshme të vuajtjeve bashkë me vëllain e madh, këtë gjë e pranojmë si një nder: “Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur Atë.” Jemi të kënaqur duke qenë të panjohur me Të në përuljen e Tij, sepse kemi për t’u lartësuar me Të. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë.” Kjo është e lehtë për t’u kuptuar, por nuk është e lehtë për t’u përjetuar. Si është puna vallë me zemrën tuaj këtë mëngjes? A je në thellësitë më të ulëta të trishtimit? A ngrihet korruptimi brenda frymës tënde dhe hiri duket si një shkëndijë e gjorë e shtypur nën këmbë? A po të meket pothuajse besimi? Mos druaj, nuk duhet të varesh as te hiret e as te ndjenjat; duhet thjesht që të jetosh me besim në Krisht. Me gjithë këto gjëra kundër nesh, tani—në vetë thellësitë e trishtimit tonë kudo qofshim—tani, po ashtu si në fusha si në male, “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë.” “Ah, por,” po thua,” shiko pak si jam veshur! hiret e mia nuk janë të ndritshme; drejtësia ime nuk shkëlqen me lavdi të dukshme. Mirëpo lexo më pas: “por ende nuk është shfaqur ç`do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të.” Fryma e Shenjtë do të pastrojë mendjet tona dhe fuqia hyjnore do të spastrojë trupat tanë, më pas do ta shohim se si është Ai.
13 shkurt-mbrëmje
“Tani, pra, nuk ka asnjë dënim.”
{#Romakëve 8:1}
Eja, shpirti im, mendo mbi këtë. Duke besuar në Jezus, je me të vërtetë dhe efektshmërisht i pastruar nga faji; je i çliruar nga burgu yt. Nuk je më në vargonj si një skllav; je i çliruar tani prej skllavërisë së ligjit; je i liruar prej mëkatit dhe mund të ecësh si një njeri i lirë, sepse gjaku i Shpëtimtarit tënd të ka shlyer plotësisht. Ke të drejtën tani t’i afrohesh fronit të Atit. Nuk ka flakë hakmarrje për të të frikësuar; asnjë shpatë të zjarrtë; drejtësia nuk mund të godasë të pafajshmin. Dobësitë e tua janë fshirë; një herë e një kohë nuk mundeshe të shihje fytyrën e Atit tënd; tani mund ta shohësh. Nuk mund të flisje me Të, por tani ke hyrje me guxim. Një herë e një kohë ti kishe frikë prej ferrit, por tani nuk ke më frikë të tillë, sepse si vallë mund të ketë dënim për të pafajshmin?
Ai që beson nuk është i dënuar dhe nuk mund të dënohet. Për më tepër, privilegjet që do të kishe gëzuar nëse nuk do të kishe mëkatuar kurrë, janë tuat tani që je i drejtësuar. Të gjitha bekimet që do të kishe pasur nëse do të kishe vënë në praktikë ligjin dhe më tepër akoma, janë tuat, sepse Krishti e ka vënë në praktikë për ty. E gjithë dashuria dhe pranimi që bindja e përkryer do të kishte fituar prej Perëndisë, të përkasin ty, sepse Krishti ishte përsosmërisht i bindur në vendin tënd dhe ka kaluar të gjitha meritat e Tij në llogarinë tënde, që ti të jesh tejet i pasur përmes Atij që për hirin tënd u bë tejet i varfër. Oh! sa i madh borxhi i dashurisë dhe i mirënjohjes që i detyrohesh Shpëtimtarit tënd!
Borxhli vetëm hirit jam
Mëshirës së besëlidhjes i këndoj;
I veshur me drejtësinë Tënde frikë s’kam,
ndërsa veten dhe flijimet e mia para Teje çoj:
Tmerri i ligjit dhe i Perëndisë,
Me mua nuk kanë më punë;
Bindja dhe gjaku i Shpëtimtarit tim
Bëjnë që shkeljet më të mos duken.
14 shkurt-mëngjes
“Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së tij.”
{#2 Mbretërve 25 :30}
Jehojakini nuk u largua prej pallatit të mbretit me një furnizim që do të zgjaste për shumë muaj, por furnizimi i tij i sigurohej si një pension ditor. Me këtë ai përshkruan mirë pozicionin e lumtur të popullit të Zotit. Një hise e përditshme është gjithçka që një njeri do me të vërtetë. Ne nuk kemi nevojë për furnizimet e së nesërmes; ajo ditë nuk ka aguar akoma dhe nevojat e saj nuk kanë lindur akoma. Etja që mund të kemi në muajin qershor, nuk ka nevojë të shuhet në shkurt, sepse nuk e ndjejmë akoma; nëse kemi mjaftueshëm për çdo ditë, ndërsa ditët kalojnë, nuk do të njohim kurrë nevojë. Është e mjaftueshme për ditën gjithçka që realisht mund të gëzojmë. Nuk mund të hamë ose të pimë ose të veshim më shumë se furnizimi ditor i ushqimit dhe veshjes; teprica na bën të vrasim mendjen për ta grumbulluar dhe të jemi në merak për ta ruajtur kundër vjedhësit. Një kërrabë ndihmon një udhëtar, por një vandak shkopinjsh është një barrë e rëndë. Të kesh mjaftueshëm nuk është veçse po aq mirë sa një gosti, por është gjithçka që edhe llupësi më i madh mund të gëzojë me të vërtetë.
Kjo është gjithçka që duhet të presim; një dëshirë e zjarrtë për më shumë është mosmirënjohëse. Kur Ati ynë nuk na jep më shumë, duhet të jemi të kënaqur me hisen e Tij të përditshme. Rasti i Jehojakinit është i yni, ne kemi një racion të sigurtë, një racion i dhënë prej mbretit, një racion i hirshëm dhe një racion i përhershëm. Këtu ka me siguri vend për falënderim. I dashur lexues i krishterë, në çështjet e hirit ke nevojë për një furnizim të përditshëm. Nuk ke depo fuqie. Ditë për ditë duhet të kërkosh ndihmë prej së larti. Është një siguri shumë e ëmbël që të jepet një racion i përditshëm. Nga Shkrimi, përmes shërbimit, me përsiatje, në lutje dhe duke shpresuar te Perëndia, do të marrësh fuqi të freskët. Në Jezusin, të gjitha gjërat e nevojshme janë shtruar përpara për ty. Atëherë gëzo racionin tënd të çdo dite. Mos u largo kurrë i uritur, ndërsa buka e përditshme e hirit është mbi tryezën e mëshirës.
14 shkurt-mbrëmje
“Ishte shëruar në çast.”
{#Lluka 8:47}
Sonte në mbrëmje është përpara nesh një nga mrekullitë e Zotit më prekëse dhe më mësimdhënëse. Gruaja ishte shumë e paditur. Ajo përfytyroi se mirësia doli prej Krishtit si diçka e nevojshme, pa vetëdijen ose vullnetin e Tij të drejtpërdrejtë. Për më tepër, ajo nuk e njihte karakterin e zemërgjerësisë së Jezusit, se përndryshe nuk do të kishte shkuar mbrapa për të vjedhur shërimin që Ai ishte aq i gatshëm ta jepte. Mjerimi duhet përherë ta vendosë veten e tij mu përpara fytyrës së mëshirës. Po ta kishte njohur dashurinë e zemrës së Jezusit, do të kishte thënë, “Duhet të dal atje ku Ai mund të më shohë—gjithëdija e Tij do t’i bëjë të ditur rastin tim dhe dashuria e Tij menjëherë do të jetësojë shërimin.” Ne e admirojmë besimin e saj, por mrekullohemi prej padijes së saj. Mbasi pati fituar shërimin, u gëzua me dridhje; ishte e gëzuar se mirësia hyjnore pati jetësuar një mrekulli në të, por ajo kishte frikë se mos Krishti tërhiqte bekimin kështu që e mohoi hirin që Ai dha; e kuptoi shumë pak plotësinë e dashurisë së Tij!
Ne nuk kemi një pikëpamje aq të qartë për Të sa do të dëshironim; nuk njohim lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Tij, por e dimë me siguri se Ai është tejet i mirë e nuk tërheq prej një shpirti drithërues dhuratën e fituar. Mirëpo këtu ka vend për t’u mrekulluar; po aq e vogël sa ishte njohuria e saj, besimi i saj për shkak se ishte besim i vërtetë, e shpëtoi dhe e shpëtoi në çast. Nuk kishte vonesë të lodhshme—mrekullia e besimit ishte e menjëhershme. Nëse kemi besim sa një farë sinapi, shpëtimi është zotërimi ynë i tanishëm dhe i përjetshëm. Nëse në listën e fëmijëve të Zotit jemi shënuar si ata më të dobëtit e familjes, prapëseprapë, duke qenë trashëgimtarë përmes besimit, asnjë pushtet njerëzor ose djallëzor, nuk mund të na flakë larg prej shpëtimit. Nëse nuk guxojmë të mbështetim kokat tona mbi kraharorin e Tij bashkë me Gjonin, prapëseprapë nëse guxojmë të shkojmë mbrapa Tij mes shtypjes së turmës dhe të prekim cepin e rrobës së Tij, atëherë bëhemi shëndoshë e mirë. Kurajë, o i ndrojtur! besimi të ka shpëtuar; shko në paqe. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë.”
15 shkurt-mëngjes
“Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë.”
{#2 Pjetri 3 :18}
Parajsa do të jetë plot me lavdërimet e pashtershme për Jezusin. Përjetësi! vitet e tua të panumërta do të shpejtojnë rrjedhën tënde të përjetshme, por përjetë dhe përjetë, “Atij i qoftë lavdia.” A nuk është Ai “prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut?” “Atij i qoftë lavdia.” A nuk është Ai mbret përjetë?—Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve, Ati i përjetshëm? “Atij i qoftë lavdia përjetë.” Lavditë e Tij nuk do të reshtin kurrë. Çfarë është blerë me gjak meriton të zgjasë në përjetësi. Lavdia e kryqit nuk duhet kurrë të eklipsohet; shkëlqimi i varrit dhe i ringjalljes nuk duhet të meket kurrë. O Jezus! do të lavdërohesh përjetë. Për aq gjatë sa frymët e pavdekshme jetojnë—për aq gjatë sa zgjat froni i Atit—përjetë, përjetë, Ty të qoftë lavdia. Besimtar, duke i dhënë të gjithë lavdinë Jezusit po paraprin kohën kur do të bashkohesh me shenjtorët lart, por a je duke e lavdëruar Atë tani? Fjalët e apostullit janë, “Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë.” A nuk do ta bësh këtë lutje, këtë ditë, lutjen tënde?
“Zot, më ndihmo të të lavdëroj; jam i varfër, më ndihmo të të lavdëroj duke u kënaqur me atë që kam; jam i sëmurë, më ndihmo të të nderoj me durimin; kam talente, me ndihmo të të madhëroj duke i shpenzuar për Ty; kam kohë Zot, më ndihmo t’ia kushtoj shërbimit Tënd; kam një zemër që ndjen, Zot mos lejo që kjo zemër të ndjejë dashuri tjetër veç për Ty dhe të mos ndizet me asnjë flakë veç asaj të dashurisë për Ty; kam mendjen për të menduar, Zot, më ndihmo të mendoj mbi Ty dhe për Ty; më ke vënë në këtë botë për diçka, Zot, më trego se çfarë është dhe më ndihmo të vë në jetë qëllimin e jetës sime; nuk mund të bëj shumë, por ashtu si e veja vuri dy kacidhet e saj, që ishin gjithçka që ajo kishte për të jetuar, po ashtu, e hedh kohën time dhe përjetësinë në thesarin Tënd; jam i tëri i Yti; më merr dhe më mundëso të të lavdëroj tani, në gjithçka që them, në gjithçka që bëj dhe me gjithçka që kam.”
15 shkurt-mbrëmje
“Veglat muzikore me tela të gëzojnë.”
{#Psalmi 45 :8}
Kush janë vallë kështu të privilegjuar për të gëzuar Shpëtimtarin? Kisha e Tij—populli i Tij. Mirëpo a është e mundur? Ai na bën të gëzuar, por si mund ta bëjmë ne Atë të gëzuar? Me anë të dashurisë sonë. Ah! na duket kaq e ftohtë, kaq e dobët dhe me të vërtetë, na duhet ta rrëfejmë me trishtim se e tillë është, por ajo është shumë e ëmbël për Krishtin. Dëgjo vetë lavdërimin e Tij të asaj dashurie në Kantikun e artë: “Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote!” E shikon pra o zemër që do, se si Ai gjen ëndje me ty. Kur mbështet kokën tënde mbi kraharorin e Tij, jo vetëm që merr, por edhe i jep gëzim; kur vështron me dashuri fytyrën e Tij të gjithëlavdishme, nuk fiton vetëm ngushëllim, por përçon kënaqësi.
Lavdia jonë gjithashtu i jep Atij gëzim—jo vetëm kënga e buzëve, por melodia e mirënjohjes së thellë të zemrës. Dhuratat tona gjithashtu janë shumë të këndshme për Të; Atij i pëlqen shumë të na shohë teksa japim kohën, talentet tona, thelbin tonë mbi altar, jo për vlerën e asaj që japim, por për hir të motivit nga lind dhurata. Për Të, flijimet e përunjura të shenjtorëve të Tij janë më të pranueshme se shumë ar dhe argjend. Shenjtëria është si temjan i pastër dhe mirrë për Të. Fal armikun tënd dhe e bën Krishtin të gëzuar; jepi prej ushqimit tënd të varfërit dhe Ai lumturohet; ji mjeti i shpëtimit të shpirtrave dhe i jep kështu që të shikojë punën e shpirtit të Tij; shpall ungjillin e Tij dhe je një aromë e ëmbël për Të; shko mes të paditurve dhe ngri lart ungjillin dhe i ke dhënë kështu nder. Është në fuqinë tënde edhe tani të thyesh enën prej alabastri dhe të derdhësh vajin e çmuar të gëzimit mbi kokën e Tij, ashtu si bëri një herë e një kohë ajo grua që kujtohet deri tani kudo që ungjilli është i predikuar. A do të tërhiqesh mbrapa atëherë? A nuk do të parfumosësh Zotin tënd të dashur me mirrën, aloen dhe kajsinë e lavdisë së zemrës tënde? Po, ju pallate të fildishta, do të dëgjoni këngët e shenjtorëve!
16 shkurt-mëngjes
“Jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.”
{#Filipianët 4 :11}
Këto fjalë na tregojnë se nuk është një prirje e natyrshme e njeriut të kënaqet në gjendjen që është. “Barërat e këqija rriten shpejt.” Lakmia, pakënaqësia dhe murmuritja janë po aq të natyrshme për njeriun sa gjembat janë për tokën. Nuk kemi nevojë të mbjellim gjembaçë dhe ferra; ato rriten mjaft natyrshëm, sepse i përkasin tokës dhe po ashtu nuk kemi nevojë t’u mësojmë njerëzve të ankohen; ata ankohen mjaft shpejt pa ndonjë edukim. Mirëpo gjërat e çmuara të tokës duhet të kultivohen. Nëse do të donim të kishim grurë, duhet që të plugojmë dhe të mbjellim; nëse duam lule, duhet të ketë një kopsht dhe e gjithë përkujdesja e kopshtarit.
Tani, kënaqja është një prej luleve të parajsës dhe nëse do të donim ta kemi duhet të kultivohet; nuk do të rritet brenda nesh prej natyre; është vetëm natyra e re që mund ta prodhojë atë dhe edhe atëherë duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe vigjilent që të ruajmë dhe të kultivojmë hirin që Perëndia ka mbjellë brenda nesh. Pali thotë, “jam mësuar…të kënaqem;” domethënë ai më përpara nuk e dinte se si. I kushtoi ca dhimbje për të arritur misterin e asaj të vërtetë të madhe. Pa dyshim se ndonjëherë ai mendoi se u mësua dhe më pas u lëshua. Dhe kur së fundi e kishte arritur dhe mund të thoshte, “jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam,” ai qe një i burrë i vjetër me kokë të thinjur, mbi buzën e varrit—një i burgosur i varfër i mbyllur në birucën e Neronit në Romë. Edhe ne do të donim të duronim dobësitë e Palit dhe të ndanim të njëjtën birucë të ftohtë me të, nëse edhe ne gjithashtu do të kishim arritur në shkallën e tij të lartë. Mos e lejo mendimin se mund të kënaqesh pa mësuar ose se mund të mësosh pa disiplinë. Nuk është një fuqi që duhet të ushtrohet natyrshëm, por një shkencë për t’u fituar shkallë shkallë. Ne e dimë këtë prej përjetimit. Vëlla, bëje të heshtë atë murmurimë, qoftë kjo e natyrshme dhe vazhdo si një nxënës i zellshëm në Kolegjin e Kënaqjes.
16 shkurt-mbrëmje
“Frymën Tënde të mirë.”
{#Nehemia 9 :20}
I zakonshëm, tejet i zakonshëm është mëkati i së harruarit Frymën e Shenjtë. Ky fakt është çmenduri dhe mosmirënjohje. Ai meriton gjëra të mira prej nesh, sepse është i mirë, tejet i mirë. Si Perëndi, Ai është thelbësisht i mirë. Ai ka pjesë në atributin e trefishtë, i Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë, që ngjitet drejt Jehovait Trinitet. Pastërti, vërtetësi e papërzier dhe hir është Ai. Ai është i mirë me dashamirësi, duke duruar me butësi mosbindjen tonë, duke luftuar me vullnetin tonë kryeneç, duke na ngjallur prej vdekjes sonë në mëkat dhe më pas duke na përgatitur për qiejt ashtu si një mëndeshë e dashur ushqen fëmijën e saj. Sa zemërgjerë, falës dhe i dhembshur është Fryma e duruar e Perëndisë. Ai është i mirë efektshmërisht. Të gjitha veprat e Tij janë të mira në shkallën më të lartë; Ai sugjeron mendime të mira, nxit veprime të mira, zbulon të vërteta të mira, zbaton premtime të mira, ndihmon në arritjet e mira dhe udhëheq në rezultate të mira.
Nuk ka të mirë shpirtërore në gjithë botën për të cilën Ai nuk është autori dhe mbështetësi dhe vetë parajsa do t’i ketë borxh veprës së Tij karakterin e përkryer të banorëve të saj të shlyer. Ai është i mirë në ofiqet e Tij; qoftë si Ngushëllues, Udhëzues, Udhëheqës, Shenjtërues, Përngjallës ose Ndërmjetës, Ai e përmbush mirë detyrën e Tij dhe çdo vepër është e mbushur me të mirën më të lartë për kishën e Perëndisë. Ata që i jepen ndikimit të Tij bëhen të mirë, ata që i binden shtytjeve të Tij veprojnë mirë, ata që jetojnë nën fuqinë e Tij gjejnë të mirën. Le të veprojmë pra kundrejt një Personi kaq të mirë sipas diktateve të mirënjohjes. Le të adhurojmë Personin e Tij dhe ta adhurojmë si Perëndi përmbi gjithçka, i bekuar përjetë; le të rrëfejmë fuqinë e Tij dhe nevojën për Të duke pritur për Të në të gjitha ndërmarrjet tonat e shenjta; le të kërkojmë çdo orë ndihmën e Tij dhe të mos ta trishtojmë kurrë; dhe le të flasim për lavdërimin e Tij sa herë që jepet rasti. Kisha nuk do të begatojë kurrë pa besuar më me nderim te Fryma e Shenjtë. Ai është i mirë dhe i dashur; do të ishte me të vërtetë për të ardhur keq nëse Ai do të trishtohej prej mospërfilljes dhe shkujdesjes.
17 shkurt-mëngjes
“Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.”
{# Zanafilla 25 :11}
Agari një herë pati gjetur çlirim atje dhe Ismaeli pati pirë prej ujit aq hirshëm i zbuluar prej Perëndisë që jeton dhe sheh bijtë e njerëzve, por kjo ishte një vizitë thjesht e përkohshme, po ashtu si në kohën e nevojës njerëzit e botës i bëjnë një vizitë Zotit, kur i bën punë. I thërrasin kur janë në telash, por e braktisin në mbrothësi. Isaku qëndroi atje dhe e bëri pusin e Perëndisë gjithëpamës e të gjallë burimin e tij të vazhdueshëm të furnizimit. Rrjedha e zakonshme e jetës së një njeriu, banesa e shpirtit të tij është testi i vërtetë i gjendjes së tij. Ndoshta vizita providenciale e përjetuar prej Agarit i kishte lënë mbresë Isakut dhe e shtyu të nderonte atë vend; emri i tij mistik e bëri të shtrenjtë për të; përsiatjet e tij aty e afruan më shumë me atë vend; takimi me Rebekën atje, e kishte bërë të ndjehej si në shtëpinë e tij kur ndodhej aty, por më e mira prej të gjithave, fakti se atje gëzoi shoqërim me Perëndinë e gjallë e shtyu të përzgjidhte atë tokë të shenjtë si banesë të vet.
Le të mësojmë të jetojmë në praninë e Perëndisë të gjallë; le t’i lutemi Frymës së Shenjtë që këtë ditë dhe çdo ditë tjetër të mund të ndjejmë, “Ti je El-Roi.” Qoftë Zoti Jehova si një burim për ne, i këndshëm, ngushëllues, i padështueshëm duke gufuar në jetë të përjetshme. Pagurët e krijesës plasariten dhe thahen, por burimi i Krijuesit nuk dështon kurrë; lum ai që banon tek burimi dhe kështu ka furnizime të vazhdueshme dhe të bollshme afër tij. Zoti ka qenë një ndihmë e sigurtë për të tjerët; emri i Tij është Shadai, Perëndia i Gjithëmjaftueshëm; zemrat tona kanë patur lidhje tepër të dashura me Të; përmes Tij shpirti ynë ka gjetur Dhëndrin e tij të lavdishëm, Zotin Jezus; dhe në Të këtë ditë ne jetojmë dhe lëvizim dhe kemi qenien tonë; atëherë le të banojmë në shoqërim të ngushtë me Të. Zot i lavdishëm na shtrëngo që të mos të të lëmë kurrë, por të banojmë pranë burimit të Perëndisë së gjallë.
17 shkurt-mbrëmje
“Megjithëse aty ishte Zoti.”
{#Ezekiel 35 :10}
Princat e Edomit e panë të gjithë vendin të vetmuar dhe e konsideruan të lehtë ta zotëronin, por kishte një vështirësi të madhe në udhën e tyre—pak a shumë e panjohur për to—”aty ishte Zoti”; dhe prania e Tij përbënte sigurinë e posaçme të tokës së zgjedhur. Çfarëdo qofshin intrigat dhe dredhitë e armiqve të popullit të Perëndisë, është akoma e njëjta pengesë e efektshme për të përmbysur qëllimin e tyre. Shenjtorët janë trashëgimia e Perëndisë, Ai është në mesin e tyre dhe do t’i mbrojë të vetët. Çfarë zemërngushëllimi që kjo siguri na jep në telashet dhe konfliktet tona shpirtërore! Jemi vazhdimisht të kundërshtuar dhe prapëseprapë përherë të ruajtur! Sa shpesh satanai hedh shigjetat e tij kundra besimit tonë, por besimi ynë sfidon pushtetin e thumbave të zjarrtë të ferrit; ato jo vetëm që mënjanohen, por shuhen mbi mburojën e tij, sepse “aty është Zoti.” Veprat tona të mira janë objektet e sulmeve të satanait.
Një shenjtor kurrë nuk pati një virtyt ose një hir që nuk ishte shënjestra e plumbave të ferrit; qoftë shpresë e ndritshme dhe shkëlqyese, ose dashuri e ngrohtë dhe e fuqishme, ose durim këmbëngulës, ose zell i zjarrtë si qymyr i ndezur, armiku i vjetër, çdo gjë që është e mirë, është përpjekur ta shkatërrojë. E vetmja arsye pse gjithçka virtuoze ose e dashur mbijeton brenda nesh, është kjo se, “aty është Zoti.” Nëse Zoti është me ne përgjatë jetës, nuk kemi pse të druajmë momentet e fundit, sepse kur do të vdesim do të zbulojmë se “aty është Zoti”; atje ku stuhia është më e fuqishme dhe uji më i ftohtë do të prekim fundin dhe do të kuptojmë se është mirë; këmba jonë do të qëndrojë mbi Shkëmbin e Lashtë ndërsa koha kalon. Të dashur, prej fillimit të jetës së një krishteri deri në fund, e vetmja arsye pse ai nuk vdes është sepse “aty është Zoti.” Veçse nëse Perëndia i dashurisë së përjetshme do të ndryshonte dhe do t’i linte të zgjedhurit të vdisnin, atëherë Kisha e Perëndisë mund të shkatërrohej, por ama jo deri atëherë, sepse është e shkruar, Jehova Shamah, “aty është Zoti.”
18 shkurt-mëngjes
“Bëmë të ditur pse grindesh me mua.”
{#Jobi 10 :2}
Ndoshta, o shpirt i sprovuar, Zoti po bën këtë për të zhvilluar hiret e tua. Ka disa prej hireve të tua që nuk do të zbuloheshin kurrë nëse nuk do të ishte prej sprovave të tua. A nuk e di se besimi yt kurrë nuk duket aq i madh në verë sa duket në dimër? Dashuria është shumë shpesh si një xixëllonjë duke treguar veçse pak dritë përveçse kur gjendet në mes të errësirës rrethuese. Shpresa vetë është si një yll—që nuk shihet nën rrezet e mbrothësisë dhe vetëm për t’u zbuluar në natën e kundërshtisë. Dëshpërimet janë shpesh fleta të zeza ku Perëndia vendos xhevahiret e hireve të fëmijëve të Tij për t’i bërë të shkëlqejnë më mirë. Nuk ka shumë kohë, kur i gjunjëzuar po thoshe, “Zot, kam frikë se nuk ka besim; më bëj të ditur se kam besim.” A nuk po luteshe në këtë mënyrë për sprova, edhe pse ndoshta pa e kuptuar?—sepse si mund ta dish vallë se ke besim apo jo, derisa besimi yt nuk është vënë në provë?
Kështu pra, Perëndia shpesh na dërgon sprova që hiret tona të mund të zbulohen dhe që të mund të sigurohemi për ekzistencën e tyre. Mirëpo nuk bëhet fjalë vetëm për zbulimin e tyre, rritja e vërtetë në hir është rezultati i sprovave të shenjtëruara. Perëndia shpesh na heq ngushëllimet dhe privilegjet tona me qëllim për të na bërë të krishterë më të mirë. Ai stërvit ushtarët e Tij, jo në tenda rehatie dhe luksi, por duke i përgatitur dhe duke i përdorur për marshime të detyruara dhe shërbim të rreptë. Ai i bën të kalojnë ujëra dhe të notojnë përmes lumenjve dhe të ngjisin male dhe të ecin për shumë milje të ngarkuar me hidhërim mbi kurriz. Mirë pra i krishterë, a nuk shpjegon kjo gjë telashet që po kalon? A nuk është vallë Zoti që po nxjerr në pah hiret dhe po i bën ato të rriten? A nuk është vallë kjo arsyeja pse po grindet me ty?
Sprovat e bëjnë premtimin të ëmbël;
Sprovat i japin jetë të re lutjes;
Sprovat më sjellin nën këmbët e Tij,
Më shtrijnë poshtë dhe më mbajnë atje.
18 shkurt-mbrëmje
“Atë, mëkatova.”
{#Lluka 15 :18}
Është e sigurtë se ata që Krishti ka larë me gjakun e Tij të çmuar nuk kanë nevojë të bëjnë rrëfim mëkati, si fajtorë ose kriminelë përpara Perëndisë Gjykatës, sepse Krishti ka fshirë përgjithmonë të gjithë mëkatet e tyre në një kuptim ligjor, kështu që ata nuk qëndrojnë më gjatë atje ku mund të dënohen, por janë një herë e përgjithmonë të pranuar në Shumëtëdashurin; dhe duke qenë tashmë bij dhe duke bërë shkelje si bij, a nuk duhet vallë çdo ditë të shkojnë përpara Atit të tyre qiellor dhe të rrëfejnë mëkatin e tyre dhe të pranojnë padrejtësinë e tyre nën këtë status? Natyra na mëson se është detyra e fëmijëve të hallakatur t’i rrëfehen atit të tyre tokësor dhe hiri i Perëndisë në zemër na mëson se ne, si të krishterë, i detyrohemi të njëjtën gjë Atit tonë qiellor. Ne përditë bëjmë shkelje dhe nuk duhet të prehemi pa falje të përditshme, sepse nëse shkeljet e mia kundër Atit tim nuk çohen menjëherë te Ai për t’u larë me gjakun pastrues të Zotit Jezus, cila do të jetë rrjedhoja?
Nëse nuk kam kërkuar falje dhe nuk jam larë prej këtyre shkeljeve kundra Atit tim, do të ndjehem larg prej Tij; do të dyshoj dashurinë e Tij për mua; do të dridhem para Tij; do të kem frikë t’i lutem; do të bëhem si plëngprishësi, i cili, edhe pse akoma bir, ishte larg atit të tij. Mirëpo nëse, me një trishtim birnor ngaqë kam lënduar një prind aq të hirshëm dhe të dashur, shkoj te Ai dhe i them gjithçka dhe nuk prehem derisa të jem falur, atëherë do të ndjej një dashuri të shenjtë për Atin tim dhe do të rend përmes udhës sime të krishterë, jo vetëm si një i shpëtuar, por edhe si një që gëzon paqe të tashme të gëzueshme në Perëndinë përmes Jezu Krishtit Zotit tim. Ka një dallim të madh midis rrëfimit të mëkatit si një fajtor dhe rrëfimit të mëkatit si një bir. Kraharori i Atit është vendi për rrëfime pendese. Ne jemi pastruar një herë e përgjithmonë, por këmba jonë akoma ka nevojë të lahet prej përlyerjes së ecjes sonë të përditshme si fëmijë të Perëndisë.
19 shkurt-mëngjes
“Kështu thotë Zoti, Zoti: “Do të jem sërish i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta.”
{#Ezekiel 36:37}
Lutja është pararendësi i mëshirës. Kthehu tek historia e shenjtë dhe do të zbulosh se rrallë ndonjëherë një mëshirë e madhe erdhi në këtë botë e pa lajmëruar prej përgjërimit. E ke zbuluar këtë të vërtetë në vetë përjetimin tënd personal. Perëndia të ka dhënë shumë favore pa i kërkuar, por gjithsesi lutja e madhe ka qenë gjithmonë preludi i mëshirës së madhe me ty. Kur së pari gjete paqen përmes gjakut të kryqit, ishe duke u lutur shumë dhe duke ndërhyrë me këmbëngulje te Perëndia që të hiqte tutje dyshimet dhe të të çlironte prej trishtimeve. Siguria jote ishte rezultati i lutjes. Sa herë që ke pasur gëzime të larta dhe të rrëmbyeshme, ke qenë i detyruar t’i shikosh si përgjigje të lutjeve të tua. Kur ke patur çlirime të mëdha prej telasheve të tua të mëdha dhe ndihmë të fuqishme në rreziqe të mëdha, ke thënë, “unë e kërkova Zotin, dhe Ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.”
Lutja është përherë parathënia e bekimit. Shkon përpara bekimit si hija e bekimit. Kur rrezet e mëshirave të Perëndisë ngrihen mbi nevojat tona ato lëshojnë hijen e lutjes tutje poshtë në lëndinë. Ose, për të përdorur një tjetër ilustrim, kur Perëndia grumbullon për ne një mal me mëshira, Vetë Ai shkëlqen mbrapa tij dhe lëshon në frymët tona hijen e lutjes kështu që le të jemi të sigurtë se nëse gjendemi shumë në lutje përgjërimet tona janë hijet e mëshirës. Lutja është e lidhur kështu me bekimin për të treguar vlerën e tij. Nëse do të kishim bekimet pa i kërkuar, do t’i konsideronim si gjëra të zakonshme, por lutja i bën mëshirat tona më të çmueshme se diamantet. Gjërat që kërkojmë janë të çmueshme, por ne nuk e kuptojmë vlerën e tyre derisa t’i kemi kërkuar me zell.
Lutja e bën renë e errët të tërhiqet
Lutja ngjit shkallën që Jakobi pa;
Ushtron besimin dhe dashurinë;
Sjell çdo bekim prej së larti.
19 shkurt-mbrëmje
“Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin.”
{#Gjoni 1 :41}
Ky rast është një shembull i shkëlqyeshëm i të gjitha rasteve ku jeta shpirtërore është e fuqishme. Sapo një njeri ka gjetur Krishtin, ai fillon të gjejë të tjerët. Nuk do të besoj se ke shijuar prej mjaltit të ungjillit, nëse mund ta hash të gjithë vetë. Hiri i vërtetë i jep fund çdo monopoli shpirtëror. Andrea së pari gjeti vëllanë e tij Simonin dhe më pas të tjerët. Lidhjet e gjakut kërkojnë përpjekjet tona të para individuale. Andrea, bëre mirë të fillosh me Simonin. Pyes veten se a nuk ka ca të krishterë që shpërndajnë fletushka ungjillëzuese në shtëpi të tjera që do të bënin më mirë t’i shpërndanin së pari në vetë shtëpinë e tyre—po ashtu se a nuk ka ca që janë të përkushtuar në punë të dobishme jashtë dhe që po lënë pas dore sferën e tyre të veçantë të përgjegjësisë brenda në shtëpi.
Mund të jesh thirrur ose jo të ungjillëzosh njerëzit në ndonjë vend diku, por me siguri që je i thirrur të merresh me vetë shërbyesit e tu, vetë të afërmit dhe të njohurit e tu. Feja jote le të fillojë në shtëpi. Shumë tregtarë eksportojnë mallrat e tyre më të mira—të krishterët nuk duhet të bëjnë këtë gjë. Kudo ai duhet të ketë sjelljen e tij prej shijes më të mirë, por le të kujdeset që të lëshojë frutin më të ëmbël të jetës shpirtërore dhe të dëshmisë në vetë familjen e tij. Kur Andrea shkoi të gjejë vëllain e tij, pak ia merrte mendja se sa i shquar do të bëhej Simoni. Duke u bazuar në Shkrimet, Simon Pjetri vlente dhjetë Andrea dhe prapëseprapë Andrea ishte instrumenti që e solli atë te Jezusi. Ti vetë mund të kesh pak talente, por prapëseprapë mund të jesh mjeti për të tërhequr te Krishti dikë që do të bëhet i shquar në hir dhe në shërbesë. Ah! mik i shtrenjtë, pak i njeh mundësitë që ke. Mund t’i flasësh një fëmije dhe në atë fëmijë mund të dremisë një zemër fisnike që do të ngre peshë Kishën e krishterë në vitet e ardhshme. Andrea kishte veç dy talente, por ama ai gjen Pjetrin. Edhe ti shko dhe bëj po ashtu.
20 shkurt-mëngjes
“Perëndia, që ngushëllon të pikëlluarit.”
{#2 Korintasve 7 :6}
Kush vallë ngushëllon si Ai? Shko te ndonjë fëmijë i trishtuar i Perëndisë, melankolik e i gjorë, foli premtime të ëmbla dhe pëshpërit në veshët e tij fjalë të përzgjedhura ngushëllimi; ai është si një nepërkë e shurdhët, nuk dëgjon zërin e magjistarit, sado me zotësi magjia. Ai është duke pirë vrer dhe hidhërim dhe ngushëlloje si të mundesh, do të nxjerrësh prej tij vetëm një ose dy nota dekurajimi; nuk do të nxjerrësh në dritë psalme lavdie, haleluja, sonata të gëzueshme. Mirëpo le të vijë Perëndia te fëmija i Tij, le të shfaqë fytyrën e Tij dhe sytë e vajtuesit do të shkëlqejnë me shpresë. A nuk e dëgjon të këndojë?—
Është parajsë nëse Ti je aty;
Ferr është nëse largohesh,. Ti nuk mund ta gëzoje dot, por Zoti e ka bërë këtë gjë; Ai është “Perëndia i çdo ngushëllimi.” Nuk ka balsam në Gilad, por ka balsam në Perëndinë. Nuk ka mjek mes krijesave, por Krijuesi është Jehovah-rophi. Është e mrekullueshme se si një fjalë e ëmbël e Perëndisë krijon këngë të tëra për të krishterët. Një fjalë e Perëndisë është si një copë ari dhe i krishteri është kovaçi dhe mund ta rrahë atë premtim për javë të tëra. Kështu pra, i krishterë i gjorë, nuk ke pse të ulesh poshtë në dëshpërim. Shko te Ngushëlluesi dhe i kërko të të japë ngushëllim. Ti je si një pus i thatë. Ke dëgjuar se kur një pompë nuk nxjerr ujë duhet së pari të hedhësh ujë në pompë dhe më pas do të nxjerrësh ujë dhe po ashtu edhe ti o i krishterë, kur je i tharë, shko te Perëndia, kërkoji të përhapë gëzimin e Tij në zemrën tënde dhe atëherë gëzimi yt do të jetë i plotë. Mos shko te të njohur të kësaj bote, sepse në fund fare do të jenë për ty si ngushëlluesit e Jobit, por shko së pari dhe i tëri te “Perëndia, që ngushëllon të pikëlluarit”, dhe së shpejti do të thuash, “kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e Tua më jepnin zemër.”
20 shkurt-mbrëmje
“Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.”
{#Mateu 4:1}
Një karakter i shenjtë nuk përjashton tundimin—Jezusi u tundua. Kur satanai na tundon, shkëndijat e tij bien mbi eshkë, por në rastin e Krishtit, ishte si të hidhje shkëndija mbi ujë; prapëseprapë armiku vazhdoi veprën e tij të ligë. Tani, nëse djalli vazhdon të godasë kur nuk ka asnjë rezultat, aq më tepër do ta bëjë këtë gjë kur e di se prej çfarë lënde të djegshme zemrat tona janë bërë. Edhe pse bëhesh shumë i shenjtëruar me anë të Frymës së Shenjtë, prit që qeni i madh i ferrit të lehë përsëri. Presim të tundohemi kur shoqërohemi me njerëz të tjerë, por edhe veçimi nuk do të na ruajë prej po së njëjtës sprovë. Jezu Krishti u çua larg prej shoqërisë njerëzore deri në shkretëtirë dhe u tundua prej djallit.
Vetmia ka hiret dhe të mirat e saj dhe mund të jetë e dobishme për të ndaluar epshin e syrit dhe krenarinë e jetës, por djalli do të na ndjekë deri në strehën më të këndshme. Mos ta marrë mendja se vetëm njerëzit e botës kanë mendime të tmerrshme dhe tundime blasfemuese, sepse edhe njerëzit shpirtërorë durojnë të njëjtën gjë dhe në pozicionin më të shenjtë ne mund të durojmë tundimin më të errët. Përkushtimi i tërë i frymës nuk do të të sigurojë kundra tundimit satanik. Krishti ishte i përkushtuar i tëri. Ishte ushqimi dhe pija e Tij të kryente vullnetin e Atij që e dërgoi dhe prapëseprapë u tundua! Zemrat tuaja mund të ndizen me flakën serafike të dashurisë për Jezusin dhe prapëseprapë djalli do të përpiqet t’ju sjellë poshtë në plogështinë e Laodicesë. Nëse më thua se kur Perëndia lejon një të krishterë të vërë mënjanë mburojën e tij, do të të them se kur satanai do të lërë tundimin. Ashtu si luftëtarët e vjetër në kohë lufte, ne duhet të biem në gjumë me helmetën dhe parzmoren të mbërthyer, sepse tunduesi do të përfitojë prej orës sonë së parë të lëshimit për të na bërë prenë e tij. Zoti na ruajtë në çdo kohë me sytë katër dhe na dhëntë një shpëtim përfundimtar prej nofullës së luanit dhe putrës së ariut.
21 shkurt-mëngjes
“Perëndia ka thënë.”
{#Hebrenjve 13 :5}
Nëse mund t’i mbërthejmë këto fjalë me anë të besimit kemi një armë fitimtare në dorën tonë. Çfarë dyshimi vallë nuk do të vritej prej kësaj shpate me dy tehe? Çfarë frike vallë nuk do të binte e goditur me një plagë vdekjeprurëse përpara kësaj shigjetë prej harkut të besëlidhjes së Perëndisë? Dëshpërimet e jetës dhe sëmbimi i vdekjes; korruptimet përbrenda dhe kurthet jashtë; sprovat prej lart dhe tundimet prej poshtë a nuk do të dukeshin të gjitha veçse dhembje të lehta ndërsa mund të strukemi në fortesën “Perëndia ka thënë?” Po, qoftë për kënaqësi në kohën tonë të qetë ose për forcë në konfliktin tonë, “Perëndia ka thënë” duhet të jetë ndihma jonë e përditshme dhe kjo mund të na mësojë vlerën e jashtëzakonshme të hulumtimit të Shkrimeve.
Mund të ketë një premtim në Fjalën që i përshtatet saktësisht rastit tënd, por ti ndoshta nuk e di dhe prandaj humb ngushëllimin e tij. Je si të burgosurit në birucë dhe mund të ketë një çelës në tufën e çelësave që do të ç’kyçte derën dhe do të ishe i lirë, por nëse nuk kërkon për të, mund të qëndrosh akoma i burgosur edhe pse liria është kaq afër teje. Mund të ketë një ilaç të fuqishëm në farmacinë e madhe të Shkrimeve dhe akoma mund të vazhdosh i sëmurë nëse nuk kërkon dhe hulumton Shkrimet për të zbuluar se çfarë “Perëndia ka thënë.” A nuk duhet që përveç se të lexosh Biblën të mbushësh memorien plot me premtimet e Perëndisë? Mund të mbash mend thëniet e njerëzve të mëdhenj; grumbullon vargjet e poetëve me emër; a nuk duhet të kesh njohuri të thellë të fjalëve të Perëndisë në mënyrë që të mund t’i citosh menjëherë kur do të doje të zgjidhje një vështirësi ose të hidhje poshtë një dyshim? Përderisa “Perëndia ka thënë” është burimi i gjithë urtësisë dhe i gjithë ngushëllimeve, le të banojë në ty me pasuri ashtu si “një burim uji që gufon për jetë të jetëve.” Kështu ti do të rritesh në shëndet, në forcë dhe lumturi në jetën hyjnore.
21 shkurt-mbrëmje
“A e kupton atë që lexon?”
{#Veprat 8 :30}
Ne do të ishim mësues më të zotë për të tjerët dhe më pak të prirur për t’u marrë tutje prej çdo ere doktrine nëse do të kërkonim të kishim një kuptim më inteligjent të Fjalës së Perëndisë. Përderisa Fryma e Shenjtë, Autori i Shkrimeve është i vetmi që mund të na ndriçojë për t’i kuptuar në mënyrë të drejtë, ne duhet vazhdimisht të kërkojmë mësimin dhe udhëheqjen e Tij në gjithë të vërtetën. Kur profeti Daniel duhej të interpretonte ëndrrën e Nebukadnetsarit çfarë bëri ai? Ai u lut me zell që Perëndia t’i shpaloste vizionin. Apostulli Gjon në vizionin e tij në Patmos pa një libër të vulosur me shtatë vula për të cilin askush nuk u gjet i denjë për ta hapur, ose të paktën për ta vështruar. Libri më pas u hap prej Luanit të fisit të Judës, i Cili pati ngadhënjyer për ta hapur atë, por së pari është shkruar—”Qaja shumë.” Lutjet e Gjonit në formë lotësh ishin, për aq sa i përket atij, çelësat e shenjtë me anë të cilëve libri i mbyllur u hap.
Prandaj nëse për dobinë tënde dhe të të tjerëve, dëshiron “të mbushesh me njohjen e vullnetit të Tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore,” sill në mendje se lutja është mjeti më i mirë i studimit; ashtu si Danieli, do të kuptosh ëndrrën dhe interpretimin e saj, kur ke kërkuar Perëndinë dhe ashtu si Gjoni do të shikosh të shtatë vulat e së vërtetës së çmueshme të çlidhura mbasi ke qarë shumë. Gurët nuk thyhen përveçse me anë të një përdorimi të zellshëm të çekiçit dhe gurëthyesi duhet të bjerë në gjunjë. Përdor çekiçin e zellit dhe ushtro gjurin e lutjes dhe nuk do të ketë as dhe një doktrinë të ngurtë në zbulesë që është e dobishme për ty të kuptosh e cila nuk do të thërrmohet nën ushtrimin e lutjes dhe besimit. Mund të çash shtegun përmes gjithçkaje me anë të forcës së lutjes. Mendimet dhe arsyetimet janë si pykat e hekurta që mbërthejnë të vërtetën, por lutja është leva që ngre velin e hekurt të misterit të shenjtë që të mund të marrim thesarin e fshehur.
22 shkurt-mëngjes
“Por harku i tij ka mbetur i fortë; krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit.”
{#Zanafilla 49 :24}
Ajo forcë që Perëndia i jep Jozefëve të Tij është forcë e vërtetë; nuk është një trimëri mburracake, një trillim, një gjë për të cilën njerëzit flasin, por që zhduket si tym më pas; është e vërtetë—forcë hyjnore. Pse vallë Jozefi i reziston tundimit? Sepse Perëndia i jep ndihmë. Nuk mund të bëjmë asgjë pa fuqinë e Perëndisë. Çdo forcë e vërtetë vjen prej “të Fuqishmit të Jakobit.” Vini re se në çfarë mënyre të bekuar dhe të njohur Perëndia i jep këtë forcë Jozefit. “Krahët e tij u përforcuan nga duart e të Fuqishmit të Jakobit.” Perëndia është i përshkruar duke vendosur duart e Tij në duart e Jozefit, duke vënë krahët e Tij mbi krahët e Jozefit. Ashtu si një baba mëson fëmijët e tij po ashtu Zoti i mëson ata që kanë frikë nga Ai. Ai vendos krahët e Tij mbi ta. Çfarë begenisje e mrekullueshme!
Perëndia i pushtetshëm, i Përjetshmi, i Plotfuqishmi përkulet prej fronit të Tij dhe vendos dorën e Tij në dorën e fëmijës duke shtrirë krahun e Tij drejt krahut të Jozefit, që ky të bëhet i fortë! Kjo forcë ishte gjithashtu forcë besëlidhje, sepse i numërohet “të Fuqishmit të Jakobit.” Tani, kudo që lexoni për Perëndinë e Jakobit në Bibël, duhet të kujtoni besëlidhjen me Jakobin. Të krishterët e kanë për zemër të mendojnë mbi besëlidhjen e Perëndisë. E gjithë fuqia, i gjithë hiri, të gjitha bekimet, të gjitha mëshirat, të gjitha ngushëllimet, të gjitha gjërat që kemi, rrjedhin te ne prej kryeburimit, përmes besëlidhjes. Nëse nuk do të kishte besëlidhje, atëherë me të vërtetë që do të kishim dështuar, sepse çdo hir vjen prej saj, ashtu si drita dhe nxehtësia prej diellit. Asnjë engjëll nuk ngjitet apo zbret përveçse në atë shkallë që Jakobi pa, në majë të së cilës qëndronte një Perëndi besëlidhës. I krishterë, mund të ketë ndodhur që harkëtarët të kanë brengosur rëndë, të kanë qëlluar dhe të kanë plagosur, por akoma harku jot ka mbetur i fortë; sigurohu pra t’i japësh çdo lavdi Perëndisë të Jakobit.
22 shkurt-mbrëmje
“Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh.”
{#Nahumi 1:3}
Jehovai është “i ngadalshëm në zemërim.” Kur mëshira vjen në botë, ajo nget kuaj me krahë; boshtet e rrotave të karrocave të saj janë të nxehta flakë prej shpejtësisë, por kur vjen zemërimi, ky vazhdon përpara me hapa të ngadalshëm, sepse Perëndia nuk gjen kënaqësi në vdekjen e mëkatarit. Fshikulla e mëshirës së Perëndisë është në duart e Tij përherë e ulur poshtë; shpata e tij e drejtësisë është në millin e saj, e mbajtur prej asaj dore dashurie të tejshpuar që u gjakos për mëkatet e njerëzve. “Zoti është i ngadalshëm në zemërim,” sepse Ai është pushtetmadh. Ai që ka pushtet mbi veten është me të vërtetë pushtetmadh. Pushteti i Perëndisë duke u vetëpërmbajtur është me të vërtetë pushtet: pushteti që lidh plotfuqishmërinë është më shumë se plotfuqishmëri. Një njeri që ka një mendje të fortë mund të durojë për një kohë të gjatë fyerje dhe i mban mëri të keqes vetëm atëherë kur një ndjenjë drejtësie kërkon veprim.
Mendja e dobët pezmatohet me pak; mendja e fortë përballon si një shkëmb që nuk lëviz edhe pse mijëra shkulme përplasen mbi të dhe hedhin ligësinë e tyre të shkretë si shkumë mbi majën e tij. Perëndia i shënon armiqtë e Tij dhe prapëseprapë nuk tundet, por e mban zemërimin e Tij. Nëse do të ishte më pak hyjnor se ç’është, nuk do të kishte vonuar të dërgonte tërë shkreptimat e Tij dhe të boshatiste depot e qiellit; nuk do të kishte vonuar të kishte shpërthyer tokën me zjarret e mahnitshme të vendeve të poshtme të saj dhe njeriu do të ishte shkatërruar krejtësisht, por madhështia e pushtetit të Tij na sjell mëshirë. Lexues i shtrenjtë, cila është gjendja jote këtë mbrëmje? A mund të shikosh te Jezusi me një besim të përulur dhe të thuash, “Zëvendësuesi im, Ti je shkëmbi im, mirëbesimi im?” Atëherë, i dashur, mos ki frikë prej pushtetit të Perëndisë, sepse me anë të besimit ke vajtur te Krishti për strehim, pushteti i Perëndisë nuk duhet të të tmerrojë më shumë se sa shigjeta dhe shpata e luftëtarit nuk duhet të tmerrojë ata që Ai do. Përkundrazi gëzohu se Ai që është “Pushtetmadh” është Ati dhe Miku yt.
23 shkurt-mëngjes
“Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
{#Hebrenjve 13 :5}
Asnjë premtim nuk duhet të ketë interpretim individual. Çfarëdo që Perëndia i ka thënë një shenjtori ia ka thënë të gjithëve. Kur Ai hap një burim për një, e hap që të gjithë të mund të pinë. Kur Ai hap derën e hambarit për të na dhënë ushqim, kjo mund të vijë për shkak të një njeriu që po vdes nga uria, por të gjithë shenjtorët e uritur mund të vijnë dhe të ushqehen. Nëse Ai ia dha fjalën Abrahamit ose Moisiut, nuk ka rëndësi, O besimtar; Ai ta ka dhënë ty si dikush prej pasardhjes së besëlidhjes. Nuk ka as dhe një bekim të lartë tejet të lartë për ty, ose ndonjë mëshirë të madhe e paarritshme për ty. Ngri lart tani sytë e tu drejt veriut dhe jugut, lindjes dhe perëndimit, sepse gjithçka është jotja. Ngjitu në majën e Pisgës dhe shiko kufirin më të skajshëm të premtimit hyjnor, sepse toka është e gjithë jotja. Nuk ka as dhe një përrua uji të gjallë nga ku nuk mund të pish. Nëse toka rrjedh qumësht e mjaltë, ha mjaltin dhe pi qumështin, sepse të dyja janë tuat. Ji i guximshëm për të besuar, sepse Ai ka thënë, ” Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.” Në këtë premtim Perëndia i jep gjithçka popullit të Tij. “Nuk do të të lë.”
Atëherë, asnjë atribut i Perëndisë nuk mund të reshtë angazhimin për ne. A është Ai i fuqishëm? Ai do ta tregojë veten e Tij të fortë për ata që e vendosin besimin e tyre në Të. A është Ai dashuri? Atëherë me dashamirësi, Ai do të ketë mëshirë për ne. Çfarëdo atributi që mund të përbëjë karakterin e Hyjnisë, secili prej tyre në tërë shtrirjen e tij, do të angazhohet në anën tonë. Nëse do të përmblidhje gjithçka në një të vetme, nuk ka asgjë që mund të dëshirosh, asgjë që mund të kërkosh, asgjë që mund të kesh nevojë në kohën e duhur ose në përjetësi, asgjë të gjallë, asgjë që jep shpirt, asgjë në këtë botë, asgjë në botën e ardhshme, asgjë tani, asgjë në mëngjesin e ringjalljes, asgjë në parajsë që nuk përmbahet në këtë tekst—”Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
23 shkurt-mbrëmje
“Merre kryqin tënd dhe më ndiq.”
{#Marku 10 :21}
Nuk ke pse të bësh vetë kryqin tënd, edhe pse mosbesimi është një mjeshtër zdrukthëtar i kryqbërjes; po ashtu, nuk të lejohet të zgjedhësh vetë kryqin tënd, edhe pse vullneti yt do të dëshironte me zjarr të ishte zot dhe padron, por kryqi jot është i përgatitur dhe i caktuar për ty me anë të dashurisë hyjnore dhe duhet ta pranosh me gëzim; duhet ta marrësh kryqin ashtu si refrenin dhe medaljen tënde të preferuar dhe jo të gjesh kleçka me të. Këtë mbrëmje Jezusi të urdhëron që zgjedhës së Tij të lehtë, t’i nënshtrosh shpatullën tënde. Mos e shqelmo me rrëmbim, mos shkel mbi të me një mburrje të kotë, mos bjer nën të me dëshpërim, mos u largo prej saj nga frika, por merre atë si një ndjekës i vërtetë i Jezusit. Jezusi ishte një kryqmbajtës; Ai udhëheq në shtegun e vuajtjes. Me siguri që nuk do të doje një udhëheqës më të mirë! Dhe nëse Ai mbajti kryqin, çfarë barre më fisnike do të dëshiroje vallë? Via Crucis është udha e sigurisë; mos ki frikë të shkelësh shtigjet e saj me gjemba.
Të dashur, kryqi nuk është i bërë prej puplash, ose i veshur me pëlhurë, është i rëndë dhe lëndues për shpatullat e pabindura, por nuk është një kryq i hekurt, edhe pse druajtjet e tua e kanë lyer me ngjyra të hekurta, është një kryq i drunjtë dhe një njeri mund ta mbajë, sepse Njeriu i vuajtjeve e provoi atë barrë. Merr kryqin dhe me anë të fuqisë së Frymës së Perëndisë, së shpejti do të kesh kaq dashuri për të, sa ashtu si Moisiu, nuk do të shkëmbeje dhunën për hir të Krishtit edhe për të gjitha thesaret e Egjiptit. Kujto se Jezusi e mbajti dhe atëherë do të jetë i ëmbël për ty; kujto se do të ndiqet shpejt prej kurorës dhe mendimi i peshës së lavdisë së ardhshme do të lehtësojë shumë rëndesën e telashit të sotëm. Zoti të ndihmoftë të përkulësh frymën tënde në nënshtrim ndaj vullnetit hyjnor përpara se të biesh në gjumë këtë natë, që duke u zgjuar me diellin e së nesërmes të mund të mbash kryqin e ditës me frymën e nënshtruar dhe të shenjtë që bëhet një ndjekës i të Kryqëzuarit.
24 shkurt-mëngjes
“Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur dhe do të jenë shira bekimi.”
{#Ezekiel 34 :26}
Këtu ka mëshirë sovrane? “Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur.” A nuk është vallë mëshirë hyjnore sovrane? –sepse kush mund të thotë, “Do t’i dërgoj shira,” përveçse Perëndia? Ka vetëm një zë që mund t’i flasë reve dhe t’i urdhërojë të derdhin shiun. Kush vallë e dërgon shiun poshtë në tokë? Kush e shpërndan shiun mbi barin e gjelbër? A nuk jam unë, Zoti? Po kështu edhe hiri është dhurata e Perëndisë dhe nuk mund të krijohet prej njeriut. Është gjithashtu hir i nevojshëm. Çfarë do të bënte vallë toka pa shira? Lëro tokën dhe mbill farat, por çfarë mund të bësh vallë pa shiun? Po aq absolutisht i nevojshëm është shiu hyjnor. Më kot punon, nëse Perëndia nuk jep shiun e bollshëm dhe nuk dërgon poshtë shpëtimin. Tjetër, është hir i bollshëm. “Do t’i dërgoj shira.” Nuk thotë “do t’i dërgoj pika,” por “shi.”
Po kështu është me hirin. Nëse Perëndia jep një bekim, zakonisht Ai e jep në një masë të tillë sa nuk ka vend mjaftueshëm. Hir i bollshëm! Ah! duam hir të bollshëm për të na ruajtur të përulur, për të na bërë të përshpirtshëm, për të na bërë të shenjtë; hir të bollshëm për të na bërë të zellshëm, për të na ruajtur përmes kësaj jete dhe së fundi për të na çuar në parajsë. Nuk mund të bëhemi mirë pa shira hiri të bollshëm. Tjetër, është hir në kohën e duhur. “Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur.” Cila është koha jote këtë mëngjes? A është koha e thatësirës? Atëherë kjo është koha për shira. A është një kohë e zymtë dhe me re të zeza? Atëherë kjo është koha për shira. “Forca jote do të vazhdojë sa janë ditët e tua.” Dhe këtu ka një bekim të larmishëm. “Do të jenë shira bekimi.” Fjala është në shumës. Perëndia do të dërgojë të gjitha llojet e bekimeve. Të gjitha bekimet e Perëndisë qëndrojnë bashkë, ashtu si hallkat në një zinxhir të artë. Nëse Ai jep hir besimkthyes, do të japë gjithashtu hir ngushëllues. Ai do të dërgojë “shira bekimesh.” Sot, shiko lart o bimë e përzhitur dhe hap gjethet dhe lulet e tua për ujitjen qiellore.
24 shkurt-mbrëmje
“O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin…? Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi.”
{#Zakaria 1 :12,13}
Çfarë përgjigje e ëmbël ndaj një pyetje të ankthshme! Le të gëzohemi këtë mbrëmje me të. O Sion, ka gjëra të mira të ruajtura për ty; koha jote e skllavërisë së shpejti do të marrë fund; fëmijët e tu do të çlirohen; robëria jote do të përfundojë. Duro me durim fshikullën për një kohë dhe edhe nën errësirë beso akoma në Perëndi, sepse dashuria e Tij digjet me zjarr për ty. Perëndia e do Kishën me një dashuri shumë të thellë për përfytyrimin njerëzor; Ai e do atë me gjithë zemrën e Tij të pafund. Atëherë fëmijët e saj le të marrin kurajë; asaj që Perëndia i flet “me fjalë të mira, fjalë inkurajimi” nuk mund të jetë larg prej begatisë. Se cilat janë këto fjalë ngushëlluese profeti vazhdon duke thënë: “Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin.”
Zoti e do kishën e Tij kaq shumë sa nuk mund të durojë që ajo të marrë rrugë të shtrembër, të shkojë te të tjerët; dhe kur ajo bën ashtu, Ai nuk mund të durojë që ajo të vuajë shumë ose rëndë. Ai nuk do të lejojë armiqtë e Tij ta pikëllojnë; Ai është i pakënaqur me ta, sepse ata rrisin mjerimin e saj. Atëherë kur duket më shumë se Perëndia lë kishën e Tij, zemra e Tij është e ngrohtë ndaj saj. Historia tregon se sa herë që Perëndia përdor një fshikull për të ndrequr shërbëtorët e Tij, Ai gjithmonë e thyen më pas sikur ta kishte neveri fshikullën që i shkaktonte dhembje fëmijëve të Tij. “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej Tij.” Ngaqë godet, nuk do të thotë se Perëndia na ka harruar—goditjet e Tij nuk janë prova të mungesës së dashurisë. Nëse kjo është e vërtetë për kishën e Tij kolektivisht, është po aq e vërtetë për çdo pjesëtar të saj. Mund të druash se Zoti të ka kaluar tutje, por nuk është kështu; Ai që numëron yjet dhe i quan me emrat e tyre, nuk do të harrojë fëmijët e vet. Ai e njeh rastin tënd krejtësisht, njësoj sikur të ishe e vetmja krijesë që Ai ka krijuar ndonjëherë, ose i vetmi shenjtor që Ai ka dashur ndonjëherë. Afrohu Atij dhe ji në paqe.
25 shkurt-mëngjes
“Zemërimi që po vjen.”
{#Mateu 3:7}
Është e këndshme të përshkosh një vend mbasi ka kaluar stuhia; të nuhatësh erën e barërave mbasi shiu ka rënë dhe të vësh re pikat e ujit ndërsa shkëlqejnë si diamante të pastër nën dritën e diellit. Ky është pozicioni i të krishterit. Ai po kalon përmes një toke ku stuhia ka kaluar mbi kokën e Shpëtimtarit të tij dhe nëse ka ca pika pikëllimi duke rënë, ato distilohen prej reve të mëshirës dhe Jezusi e gëzon me anë të sigurisë se ato nuk janë për shkatërrimin e tij. Mirëpo sa e tmerrshme që është të jesh dëshmitar i afrimit të një stuhie; të vështrosh paralajmërimet e stuhisë; të vësh re zogjtë e qiellit teksa lëshojnë krahët, të shikosh bagëtinë teksa ulin kokën poshtë me frikë, të dallosh pamjen e qiellit teksa bëhet i zi dhe të shikosh diellin që nuk shkëlqen dhe qiejt që janë të zemëruar dhe të vrenjtur!
Sa e tmerrshme që është të presësh përparimin e tmerrshëm të një tufani—ashtu si ndodhin, ndonjëherë, në tropik—të presësh në një ankth të tmerrshëm derisa era të shpërthejë me furi, duke shqyer pemë prej rrënjëve të tyre, duke zhvendosur shkëmbinjtë prej piedestaleve të tyre dhe duke rrëzuar të gjithë banesat e njeriut! Dhe prapëseprapë, mëkatar, ky është pozicioni jot i tanishëm. Deri tani nuk kanë rënë pika të nxehta, por një shi zjarri po vjen. Asnjë erë e tmerrshme nuk po uturin përreth teje, por stuhia e Perëndisë është duke mbledhur artilerinë e saj të tmerrshme. Deri tani ujërat janë të zëna prej mëshirës, por digat së shpejti do të hapen; shkreptimat e Perëndisë janë akoma në depon e Tij, por ja! stuhia nxiton dhe sa i tmerrshëm do të jetë ai çast kur Perëndia, i veshur me hakmarrje, do të marshojë përpara me tërbim! Vallë ku, ku, ku, o mëkatar, do ta fshehësh kokën tënde, ose ku vallë do t’ia mbathësh? Oh dora e mëshirës të të udhëheqtë te Krishti! Ai është i paraqitur hapur përpara teje në ungjill; ija e Tij e çarë është shkëmbi i strehimit. Ti e di nevojën tënde për Të; beso në Të, hidhe veten tënde te Ai dhe më pas zemërimi do të të kursejë.
25 shkurt-mbrëmje
“Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë së Zotit.”
{#Jona 1 :3}
Ne vend që të shkonte në Ninivë për të predikuar Fjalën, ashtu si Perëndia e kishte urdhëruar, Jona nuk e pëlqeu detyrën e caktuar dhe shkoi në Jope për t’i bërë bisht asaj. Ka raste kur shërbëtorët e Perëndisë tërhiqen para një detyre. Por cila është rrjedhoja? Çfarë humbi Jona me anë të sjelljes së tij? Ai humbi praninë dhe gëzimin ngushëllues të dashurisë së Perëndisë. Kur ne shërbejmë Zotin Jezus ashtu si besimtarët duhet të bëjnë, Perëndia ynë është me ne dhe edhe pse kemi gjithë botën kundra nesh, nëse kemi Perëndinë me ne, çfarë rëndësie ka vallë? Mirëpo në çastin kur zmbrapsemi dhe kërkojmë vetë trillimet tona, jemi në det si pa kapiten. Atëherë qajmë dhe psherëtijmë, “O Perëndia im, ku ke shkuar? Si mund të kem qenë kaq i çmendur sa të lë mënjanë shërbimin Tënd dhe në këtë mënyrë të humbas të gjithë rrezatimet e ndritshme të fytyrës Tënde? Ky është një çmim shumë i lartë. Le të kthehem te besnikëria ime, që të mund të gëzohem në praninë Tënde.”
Po ashtu, Jona humbi çdo paqe. Mëkati shpejt shkatërron ngushëllimin e besimtarit. Është si një pemë helmatuese prej gjetheve të së cilës distilohen pika që shkatërrojnë jetën e gëzimit dhe paqes. Jona humbi gjithçka nga ku mund të kishte nxjerrë ngushëllim në çdo rast tjetër. Ai nuk mund ta bënte për vete premtimin e mbrojtjes hyjnore, sepse nuk po ecte në shtigjet e Perëndisë; ai nuk mund të thoshte, “Zot, po përballoj këto vështirësi në kryerjen e detyrës sime, prandaj më ndihmo mes këtyre vështirësive.” Ai po korrte vetë frytet e veprave të tij; ishte i mbushur me vetë shtigjet e tij. I krishterë, mos u bëj si Jona, nëse nuk do që të kesh të gjitha valët dhe shkulmat duke u rrokullisur mbi kokën tënde. Do të kuptosh më pas se është shumë më e vështirë të mënjanosh punën dhe vullnetin e Perëndisë se sa t’ia japësh veten menjëherë. Jona humbi kohën e tij, sepse iu desh më pas të shkonte në Ninivë fundi i fundit. Është e vështirë të luftosh me Perëndinë; le ta përkushtojmë veten menjëherë.
26 shkurt-mëngjes
“Shpëtimi i përket Zotit.”
{#Jona 2 :9}
Shpëtimi është vepra e Perëndisë. Është vetëm Ai që ngjall shpirtin “të vdekur në shkelje dhe mëkate,”dhe është po Ai që mban shpirtin në jetë shpirtërore. Ai është “Alfa dhe Omega.” “Shpëtimi i përket Zotit.” Nëse jam plot me lutje, Perëndia më bën të tillë; nëse kam hire, ato janë dhuratat e Perëndisë; nëse vazhdoj në një jetë të qëndrueshme, është sepse Ai më mbështet me dorën e Tij. Unë nuk bëj asgjë në lidhje me vetë ruajtjen time përveçse asaj që vetë Perëndia bën së pari në mua. ?farëdo që kam, e gjithë mirësia ime i përket vetëm Zotit. Kur mëkatoj, kjo më përket mua, por kur veproj drejt, kjo i përket Perëndisë, tërësisht dhe plotësisht. Nëse kam zmbrapsur një armik shpirtëror, forca e Zotit forcoi krahun tim.
A jetoj përpara njerëzve një jetë të përkushtuar? Nuk jam unë, por Krishti që jeton në mua. A jam i shenjtëruar? Nuk jam unë që e pastrova veten; Perëndia Fryma e Shenjtë më shenjtëron. A jam i ndarë prej botës? Jam i ndarë prej ndreqjeve të Perëndisë, të shenjtëruara për të mirën time. A rritem në njohuri? Mësuesi i madh më mëson. Të gjithë gurët e mi të çmuar u punuan prej artit hyjnor. Gjej në Perëndinë gjithçka që kam nevojë, por nuk gjej në veten time asgjë përveçse mëkat dhe mjerim. “Vetëm Ai është shkëmbi dhe shpëtimi im.” A ushqehem prej Fjalës? Fjala nuk do të ishte ushqim për mua nëse Zoti nuk do ta kishte bërë ushqim për shpirtin tim dhe të mos më kishte ndihmuar të ushqehem me të. A jetoj prej manës që vjen prej qiellit? Cila është mana vallë përveçse vetë Jezu Krishti i mishëruar, mishin dhe gjakun e të Cilit haj e pij? A jam duke marrë vazhdimisht rritje të freskët fuqie? Ku vallë e mbledh fuqinë time? Ndihma ime vjen prej kodrave të parajsës; pa Jezusin nuk mund të bëj asgjë. Po ashtu si një degë nuk mund të japë fryt përveçse kur qëndron në hardhi, as edhe unë, nëse nuk qëndroj në Të. Atë që Jona mësoi në thellësirën e madhe le ta mësoj këtë mëngjes në kthinën time: “Shpëtimi i përket Zotit.”
26 shkurt-mbrëmje
“Në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën.”
{#Levitiku 13:13}
Kjo rregull duket mjaft e çuditshme, prapëseprapë ka urtësi në të, sepse shfaqja jashtë e sëmundjes provoi se shëndeti ishte i mirë. Këtë mbrëmje do të ishte mirë për ne të mësojmë mësimin që del si shëmbëlltyrë nga kjo rregull kaq e habitshme. Ne gjithashtu jemi lebroz dhe mund të lexojmë ligjin e lebrës si të zbatueshëm për veten tonë. Kur një njeri e shikon veten si të humbur dhe i rrënuar, i mbuluar i tëri me fëlliqësinë e mëkatit dhe në asnjë pjesë i pastër prej ndotjes; kur mohon çdo drejtësi të vetën dhe deklarohet i fajshëm përpara Zotit, atëherë ai është i pastër me anë të gjakut të Jezusit dhe hirit të Perëndisë. Lebra e vërtetë është shkelja e parrëfyer, e pandjerë e fshehur, por kur mëkati shihet dhe ndihet, ai ka marrë goditjen e vdekjes dhe Zoti hedh shikim mëshire mbi shpirtin e pikëlluar me të. Asgjë nuk është më vdekjeprurëse se sa vetë-drejtësia, ose më shpresëdhënëse se zemërthyerja.
Ne duhet të rrëfejmë se nuk jemi “gjë tjetër veçse mëkat,” sepse asnjë rrëfim që nuk është i tillë nuk do të jetë e gjithë e vërteta; dhe nëse Fryma e Shenjtë është duke punuar brenda nesh, duke na bindur për mëkat, nuk do të ketë vështirësi për të pranuar një gjë të tillë—do të dalë vetvetishëm prej buzëve tona. Çfarë ngushëllimi që teksti i jep mëkatarëve me të vërtetë të ngjallur; vetë rrethana që kaq me dhembje i dëshpëroi është e kthyer këtu në një shenjë dhe simptomë e një gjëndje shpresëdhënëse! ?veshja vjen para veshjes; të hapësh themelin është gjëja e parë në një ndërtesë—dhe një ndijim i plotë i mëkatit është një prej veprave më të hershme të hirit në zemër. O ti i gjorë mëkatar lebroz, pa as dhe një pjesë të shëndetshme, merr zemër prej tekstit dhe eja ashtu si je te Jezusi—
Sepse le të jenë borxhet si të jenë,
Sado të mëdhenj apo të vegjël,
Sapo nuk kemi asgjë për të paguar
Zoti ynë na fal gjithçka.
Është vetëm varfëria absolute
Që e çliron shpirtin;
Nëse do quanim edhe një grimcë tonën,
Nuk kemi shpengim të plotë.
27 shkurt-mëngjes
“Dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde.”
{#Psalmi 91:9}
Izraelitët në shkretëtirë gjendeshin në situata që ndryshonin vazhdimisht. Sa herë që shtylla e reve ndërpriste lëvizjen e saj, tendat nguleshin, por të nesërmen përpara se dielli i agimit të lindte, binte trumbeta, arka lëvizte dhe shtylla e resë e zjarrtë udhëhiqte shtegun përmes grykave të malit, anash kodrës, ose përgjatë hapësirës të shkretë të shkretëtirës. Sapo pushonin pak e menjëherë dëgjonin tingullin “tutje! nuk duhet të preheni; duhet të shkoni akoma përpara duke udhëtuar drejt Kananit!” kurrë nuk qëndronin për një kohë të gjatë në një vend. Edhe burimet e ujit dhe palmat nuk mund t’i vononin. Prapëseprapë ata kishin një strehë në Perëndinë e tyre, shtylla e resë ishte çatia e tyre dhe flaka e saj gjatë natës ishte vatra e tyre.
Ata duhej të shkonin përherë prej një vendi në tjetrin, duke ndryshuar vazhdimisht, duke mos pasur kurrë kohë për t’u vendosur një herë e mirë dhe të thoshin, “tani jemi të sigurtë; do të banojmë në këtë vend.” “Prapëseprapë,” thotë Moisiu, edhe pse jemi duke ndryshuar gjithmonë, Zot, ti ke qenë streha jonë brez pas brezi.” I krishteri nuk njeh ndryshim në lidhje me Perëndinë. Ai mund të jetë i pasur sot dhe i varfër nesër; ai mund të jetë i sëmurë sot dhe mirë nesër; ai mund të jetë i lumtur sot, nesër mund të jetë i trishtuar—por nuk ka ndryshim në lidhje me marrëdhënien e tij me Perëndinë. Nëse Ai më deshi dje, më do sot. Kështjella ime e palëvizshme e prehjes është Zoti im i bekuar. Le të zymtohet horizonti, shpresat le të rrënohen, le të ndrydhet gëzimi; myku le të shkatërrojë gjithçka; nuk kam humbur asgjë që kam në Perëndinë. Ai është “kështjella e shpëtimit, ku unë mund të shkoj gjithnjë.” Jam një shtegëtar në këtë botë, por jam në shtëpinë time në Perëndinë tim. Në këtë tokë mund të shkoj sa andej këndej, por në Perëndinë banoj në një vendbanim të qetë.
27 shkurt-mbrëmje
“Origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,nga ditët e përjetësisë.”
{#Mikea 5 :2}
Zoti Jezus i pati origjinat e Tij për njerëzit e Tij si përfaqësuesi i tyre para fronit shumë më përpara se ata të shfaqeshin në kohën e tyre. Ishte që “nga ditët e përjetësisë” që Ai nënshkroi marrëveshjen me Atin e Tij, se do të paguante me gjak për gjakun, me vuajtje për vuajtjen, me agoni për agoninë, me vdekje për vdekjen në vend të popullit të Tij; ishte “nga ditët e përjetësisë” që Ai e dha veten pa as edhe një fjalë murmuritëse, me qëllim që i gjithë trupi i Tij të djersiste pika gjaku të mëdha, që të pështyhej, të tejshpohej, të tallej, të dërrmohej, të shtypej nën dhembjet e vdekjes. Origjinat e Tij si Siguria jonë ishin që nga ditët e përjetësisë. Ndalo shpirti im dhe mahnitu! Ti ke origjinën në personin e Jezusit që “nga ditët e përjetësisë.” Krishti të deshi jo vetëm kur u linde në këtë botë, por kënaqësitë e Tij ishin me bijtë e njerëzve përpara se ata të ekzistonin.
Ai mendonte shpesh për ta; prej përjetësisë në përjetësi, Ai kishte vendosur zemërdashurinë e Tij te ata. ?farë! shpirti im, a ka dashur Ai kaq fort shpëtimin tënd dhe nuk do ta përmbushte dot? A ka dashur që prej përjetësisë të më shpëtonte dhe do të më humbiste vallë tani? Nuk ka mundësi! A më ka mbajtur në dorën e Tij si një gur i çmuar dhe do të më linte vallë tani të rrëshqisja prej gishtave të Tij? A më zgjodhi përpara krjimit të maleve dhe formimit të honeve dhe do të më hidhte poshtë tani? E pamundur! Jam i sigurtë se nuk do të më donte kaq shumë nëse nuk do të kishte qenë një dashurie e pandryshueshme. Nëse do të mund të lodhej prej meje do të ishte lodhur prej meje që para shumë kohësh. Nëse nuk do të më kishte dashur me një dashuri aq të thellë sa Sheoli dhe aq të fortë sa vdekja, do të ishte larguar prej meje që para shumë kohësh. Oh, gëzim mbi të gjitha gëzimet, të dish se jam trashëgimia e Tij e patjetërsueshme dhe e përjetshme, dhënë prej Atit të Tij përpara se bota të ekzistonte! Dashuria e përjetshme do të jetë jastëku për kokën time këtë natë.
28 shkurt-mëngjes
“Shpresa ime vjen nga Ai.”
{#Psalmi 62 :5}
Është privilegji i besimtarit të përdorë këtë gjuhë. Nëse po kërkon ndonjë gjë prej botës, është një “shpresë” e varfër me të vërtetë. Mirëpo nëse ai shikon te Perëndia për furnizimin e nevojave të tij, qoftë në bekime shpirtërore ose në bekime materiale, “shpresa” e tij nuk do të jetë e kotë. Vazhdimisht mund të tërheqë prej bankës së besimit dhe të ketë nevojën të plotësuar prej pasurive të dashamirësisë së Perëndisë. Unë di këtë, do të doja të kisha Perëndinë si bankierin tim se sa të gjithë Rotshildët. Zoti im kurrë nuk dështon të nderojë premtimet e Tij dhe kur i sjellim në fronin e Tij, Ai kurrë nuk i kthen mbrapa pa përgjigje. Prandaj do të pres vetëm në derën e Tij, sepse Ai përherë e hap me dorën e hirit bujar.
Në këtë çast, do ta provoj përsëri. Por ne kemi “shpresa” përtej kësaj jete. Së shpejti do të vdesim dhe atëherë “shpresa jonë vjen nga Ai.” A nuk presim ndërsa jemi të shtrirë mbi shtratin e sëmundjes, se Ai do të dërgojë engjëj për të na dërguar në kraharorin e Tij? Ne besojmë se kur pulsi është i dobët dhe zemra psherëtin rëndë, ndonjë korrier engjëllor do të qëndrojë dhe do të shikojë me sy të dashur mbi ne dhe do të pëshpëritë, “frymë motër, eja!” Teksa i afrohemi portës qiellore, presim të dëgjojmë ftesën mirëpritëse, “Ejani, ju o të bekuar nga Ati im, trashëgoni mbretërinë që është përgatitur për ju që nga themelimi i botës.” Ne po presim harpa ari dhe kurora lavdie; po shpresojmë së shpejti të jemi mes shumicës së atyre që shkëlqejnë përpara fronit; po presim me dëshirë të zjarrtë për çastin kur do të jemi si Zoti ynë i lavdishëm—”sepse do ta shohim se si është Ai.” Më pas nëse këto janë “shpresat” e tua o shpirti im, jeto për Perëndinë; jeto me dëshirën dhe vendimmarrjen për ta lavdëruar Atë nga ku vijnë të gjitha furnizimet e tua dhe nga hiri në zgjedhjen tënde, shlyerjen tënde dhe thirrjen tënde, vjen se ke “shpresë” për lavdinë e ardhshme.
28 shkurt-mbrëmje
“Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.”
{#1 Mbretërve 17 :16}
Vëre besnikërinë e dashurisë hyjnore. Kjo grua kishte nevoja të përditshme. Ajo kishte për të ushqyer veten dhe djalin e saj në kohë zie buke; dhe tani, për më tepër, edhe profeti duhej ushqyer. Por edhe pse nevoja ishte e trefishtë, prapëseprapë furnizimi i vaktit nuk u pakësua, sepse ajo pati një furnizim të vazhdueshëm. Çdo ditë hante nga ena, por prapëseprapë çdo ditë sasia mbeste e njëjtë. Lexues i shtrenjtë, ti ke nevoja të përditshme dhe për shkak se ato vijnë kaq shpesh, je i prirur të kesh frikë se ena e miellit një ditë do të jetë e zbrazët dhe qypi i vajit nuk do të mjaftojë. Ji i sigurtë se sipas Fjalës së Perëndisë, kjo gjë nuk do të ndodhë.
Çdo ditë, edhe pse ajo sjell shqetësimin e saj, do të sjellë ndihmën e saj; dhe edhe sikur të jetoje aq gjatë sa të kaloje vitet e Methuselahut dhe edhe sikur nevojat e tua të ishin aq të shumta sa rëra e detit, prapëseprapë hiri dhe mëshira e Perëndisë do të zgjasin përgjatë të gjitha nevojave të tua dhe nuk do të njohësh kurrë një mungesë të vërtetë. Për tre vite të gjata, në ditët e kësaj të veje, qiejt nuk panë kurrë një re dhe yjet kurrë nuk derdhën as dhe një lot të shenjtë vese mbi tokën e ligë; zia e bukës, shkretimi dhe vdekja e bënë këtë tokë një shkretëtirë të frikshme, por kjo grua kurrë nuk ishte e uritur, por përherë e gëzuar mes bollëkut. Po kështu do të jetë me ty. Do të shikosh shpresën e mëkatarit të vdesë, sepse ai beson në forcën e tij natyrore; do të shikosh mirëbesimin e fariseut krenar të lëkundet, sepse ai e ndërton shpresën e tij mbi rërë; do të shikosh madje edhe skemat e tua të prishen dhe të vyshken, por ti vetë do të shikosh se vendi yt i mbrojtjes do të jetë fortesë shkëmbinjsh: “buka e tij do t`i jepet, uji i tij do t`i sigurohet.” Më mirë të kesh Perëndinë për rojen tënde se sa Bankën e Anglisë për zotërimin tënd. Mund të shpenzosh gjithë pasurinë e botës, por pasuritë e pafundme të Perëndisë nuk mund t’i shterosh kurrë.
29 shkurt-mëngjes
“Të kam tërhequr me dashamirësi.”
{#Jeremia 31:3}
Shkreptimat e ligjit dhe tmerret e gjykimit janë të gjitha të përdorura për të na sjellë te Krishti, por fitorja përfundimtare kryhet me dashamirësi. Plëngprishësi u nis për në shtëpinë e atit të tij prej nevojës, por ati i tij e pa nga larg dhe vrapoi ta takonte; kështu që hapat e fundit që ndërmori drejt shtëpisë së atit të tij u shoqëruan me puthjen akoma të ngrohtë mbi faqen e tij dhe me mirëpritjen akoma tingëlluese në veshët e tij.
Ligji dhe tmerret veç ngurtësojnë
Por një ndijim blerje me gjak
Do të shkrijë një zemër guri.
Zoti erdhi një mbrëmje te porta dhe trokiti me dorën e hekurt të ligjit, porta u trondit dhe u drodh, por njeriu mblodhi mbrapa derës çdo gjë që mund të gjente, sepse ai tha, “nuk do ta pranoj.” Mjeshtri u largua, por më pas u kthye dhe me vetë dorën e Tij të butë, duke përdorur më shumë atë pjesë ku gozhda kishte depërtuar, Ai trokiti përsëri—oh, kaq butë dhe kaq lehtë. Kësaj here porta nuk u trondit, por e habitshme, u hap dhe ja i gjunjëzuar i zoti i shtëpisë që dikur nuk donte, pret me gëzim mikun e tij. “Eja brenda, eja; ke trokitur në mënyrë të tillë sa zemra ime është e mallëngjyer për ty. Nuk mund të duroja dot duke menduar për dorën Tënde të tejshpuar duke lënë shenjën e saj të gjakut mbi derën time dhe që Ti të largoheshe pa gjetur strehë, “koka jote është gjithë vesë dhe kaçurrelat e tua gjithë cirka të natës.” “Dorëzohem, dorëzohem, dashuria jote ka fituar zemrën time.” Kështu ndodh në çdo rast, dashamirësia del fitimtare gjithmonë. Atë që Moisiu me pllakat e gurit nuk mundi ta bëjë kurrë, Krishti e bëri me dorën e Tij të tejshpuar. E tillë është doktrina e thirrjes së efektshme. A e kuptoj atë me përjetim? A mund të them, “Ai më tërhoqi dhe unë e ndoqa, i gëzuar të rrëfej për zërin hyjnor?” Nëse është kështu, vazhdoftë të më tërheqë derisa se fundi të ulem në banketin e martesës së Qengjit.
29 shkurt-mbrëmje
“Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por frymën që vjen nga Perëndia që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.”
{#1 Korintasve 2 :12}
Lexues i shtrenjtë, a ke marrë frymën që vjen nga Perëndia, përmes veprës së Frymës së Shenjtë në shpirtin tënd? Nevojshmëria e veprës së Frymës së Shenjtë në zemër mund të shikohet qartë nga ky fakt se gjithçka që është kryer nga Perëndia At dhe nga Perëndia Bir është e paefektshme për ne, nëse Fryma nuk i zbulon këto gjëra në shpirtrat tanë. Çfarë efekti ka doktrina e zgjedhjes mbi ndonjë njeri nëse Fryma e Perëndisë nuk hyn te Ai? Zgjedhja është një fjalë e vdekur në ndërgjegjen time, derisa Fryma e Perëndisë më thërret prej errësirës në dritë të mrekullueshme. Atëherë përmes thirrjes sime, shoh zgjedhjen time dhe duke e ditur se jam i thirrur nga Perëndia, e di se jam i zgjedhur sipas qëllimit të përjetshëm.
Një besëlidhje u bë me Zotin Jezu Krisht prej Atit të Tij, por çfarë vlere ka vallë besëlidhja për ne nëse Fryma e Shenjtë nuk sjell bekimet e Tij dhe nuk hap zemrat tona për t’i marrë ato? Bekimet varen mbi kryq—Krishti Jezus, por duke qenë të shkurtër në shtat, ne nuk mund t’i arrijmë; Fryma e Perëndisë i sjell ato poshtë dhe na i jep neve dhe kështu ato bëhen me të vërtetë tonat. Bekimet e besëlidhjes janë në vetvete si mana në qiej, larg arritjes njerëzore, por Fryma e Perëndisë hap dritaret e qiellit dhe e shpërndan bukën e gjallë përreth kampit të Izraelit shpirtëror. Puna e përfunduar e Krishtit është vera e ruajtur në but; përmes mosbesimit as nuk mund të tërheqim as nuk mund të pimë prej saj. Fryma e Shenjtë zhyt enën tonë në këtë verë të çmuar dhe më pas ne pimë, por pa Frymën jemi po aq me vërtetësi të vdekur në mëkat sa sikur Ati të mos të na kishte zgjedhur kurrë dhe sikur Biri të mos na kishte blerë kurrë me gjakun e Tij. Fryma e Shenjtë është absolutisht e nevojshme për mirëqenien tonë. Le të sillemi me dashamirësi kundrejt Tij dhe të dridhemi nga mendimi i trishtimit të Tij.