1 shtator-mëngjes
“Ti do të më udhëheqësh me këshillën Tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.”
{Psalmi 73:24}
Psalmisti e ndjeu të nevojshme këshillën hyjnore. Ai sapo kishte zbuluar marrëzinë e zemrës së tij dhe në mënyrë që të mos të udhëhiqej prej saj përherë shtrembër, ai vendosi që këtej e tutje ta udhëhiqte këshilla e Perëndisë. Një ndijim i vetë marrëzisë sonë është një hap i madh drejt urtësisë, ndërsa na udhëheq për t’u mbështetur mbi urtësinë e Zotit. I verbri mbështetet mbi krahun e mikut të tij dhe mbërrin në shtëpi në siguri dhe po kështu ne duhet t’ia braktisim veten verbërisht udhëheqjes hyjnore, pa dyshuar asgjë; të siguruar se edhe pse nuk mund të shohim, është gjithmonë e sigurtë të besosh Perëndinë që shikon gjithçka. “Ti do të më,” është një shprehje e bekuar mirëbesimi. Ai ishte i sigurtë se Zoti do ta begeniste këtë kërkesë.
Ka një fjalë për ty, o besimtar; qëndro mbi të. Ji i sigurtë se Perëndia yt do të jetë këshilltari dhe miku yt; Ai do të të udhëheqë; Ai do të drejtojë të gjitha rrugët e tua. Në Fjalën e Tij të shkruar, ti ke këtë siguri pjesërisht të përmbushur, sepse Shkrimi i shenjtë është këshilla e Tij për ty. Sa të lumtur jemi që kemi Fjalën e Perëndisë për të na udhëhequr përherë!Çfarë do të ishte marinari pa kompasin e tij? Çfarë do të ishte i krishteri pa Biblën? Kjo është harta e pagabueshme, harta ku çdo batull është e përshkruar, rërat e lëvizshme të shkatërrimit deri tek limani i shpëtimit të identifikuara dhe të shënuara në hartë prej Dikujt që njeh të gjithë rrugën. Bekuar qofsh, o Perëndi, që ne mund të të besojmë për të na udhëhequr tani dhe deri në fund! Pas kësaj udhëheqje përmes rrugëtimit të jetës, Psalmisti paraprin së fundmi një pritje hyjnore— “dhe më pas do të më presësh në lavdi!” Çfarë mendimi ky për ty besimtar! Vetë Perëndia do të të presë në lavdi—ty! Duke bredhur, duke u endur, duke dalë nga udha, prapëseprapë Ai do të të sjellë shëndoshë e mirë së fundmi në lavdi! Ky është risku jot; jeto më të këtë ditë dhe nëse do të rrethohej nga pështjellime, shko me forcën e këtij teksti drejt e te froni.
1 shtator-mbrëmje
“Ki besim tek Ai vazhdimisht.”
{Psalmi 62:8}
Besimi është po aq rregull e jetës tokësore sa edhe e jetës shpirtërore; ne duhet të kemi besim në Perëndinë për punët tona të kësaj bote po ashtu si dhe për veprat tona qiellore. Është vetëm teksa mësojmë t’i mirëbesojmë Perëndisë për plotësimin e gjithë nevojave tona që do të jetojmë mbi botën. Ne nuk duhet të jemi përtacë; kjo do të tregonte se nuk besojmë në Perëndinë, që punon deri më sot, por në djallin, i cili është ati i përtacisë. Nuk duhet të jemi të pakujdesshëm ose të rrëmbyer; kjo do të thoshte t’i besosh fatit dhe jo Perëndisë të gjallë i Cili është një Perëndi i kujdesit dhe i rregullit. Duke vepruar me kujdes dhe drejtësi, duhet që të mbështetemi thjesht dhe tërësisht mbi Zotin në çdo kohë.
Më lejoni t’ju porosis një jetë mirëbesimi në Perëndinë për gjërat tokësore. Duke besuar në Perëndinë, nuk do të shtrëngohesh të vajtosh ngaqë ke përdorur mjete mëkatare për t’u pasuruar. Shërbe Perëndinë me ndershmëri dhe nëse nuk arrin sukses, të paktën asnjë mëkat nuk do të flejë në ndërgjegjen tënde. Duke i mirëbesuar Perëndisë, nuk do të jesh fajtor për kundërshti me veten. Ai që beson te zotësia e vet, lundron në një drejtim sot dhe në drejtim tjetër më pas, ashtu si një barkë e hedhur andej e këndej prej erës levarashe, por ai që beson në Zotin është si një anije me motor, ajo çan dallgët, sfidon erën dhe lë një gjurmë të drejtë të shkëlqyeshme e të argjend për në limanin e përcaktuar. Ji një njeri me parime të gjalla përbrenda; mos iu përkul kurrë zakoneve të ndryshueshme të urtësisë mondane. Ec në udhën tënde të ndershmërisë me hapa të qëndrueshëm dhe trego se je i fortë në mënyrë të pamposhtur, gjë që vetëm mirëbesimi në Perëndinë mund të ta japë. Kështu do të çlirohesh prej shqetësimit të ankthshëm, nuk do të turbullohesh prej lajmeve të këqija, zemra jote do të jetë e përqendruar, duke besuar në Zotin. Sa e këndshme të lundrosh përgjatë rrymës së providencës! Nuk ka udhë më të bekuar jetese se sa një jetë varësie te një Perëndi që ruan besëlidhjen. Ne nuk kemi shqetësime, sepse Ai kujdeset për ne; nuk kemi telashe sepse i hedhim barrët tona te Zoti.
2 shtator-mëngjes
“Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.”
{Marku 1 :30}
Shumë interesant është ky vështrim i shpejtë brenda në shtëpinë e peshkatarit apostullor. Ne e shikojmë menjëherë se gëzimet dhe punët e kësaj familje nuk janë pengesë për ushtrimin e plotë të shërbesës, jo, se përderisa ato japin një mundësi për të dëshmuar personalisht veprën e hirshme të Zotit te çdo pjesëtar i familjes, ato mund të mësojnë shërbenjësin më mirë se çdo disiplinë tjetër tokësore. Papistët dhe sektarë të tjerë mund ta nënvlerësojnë martesën, por krishtërimi i vërtetë dhe jeta familjare shkojnë mirë bashkë. Shtëpia e Pjetrit ishte ndoshta një kasolle e një peshkatari të varfër, por Zoti i Lavdisë hyri aty, gjeti strehë aty dhe kreu aty një mrekulli. Sikur ky devocion të lexohej këtë mëngjes në ndonjë kasolle të varfër, ky fakt le t’i japë zemër banuesve të saj për të kërkuar shoqërinë e Mbretit Jezus.
Perëndia gjendet më shpesh në kasolle të vogla se sa në pallate të mëdha. Jezusi po shikon rreth dhomës tënde tani dhe po pret të jetë i hirshëm me ty. Në shtëpinë e Simonit pati hyrë sëmundja, ethet në një formë vdekjeprurëse patën sfilitur vjerrën e tij dhe sapo erdhi Jezusi ata i folën për këtë pikëllim të dhimbshëm dhe Ai nxitoi për te shtrati i pacientit. A keni ju ndonjë sëmundje në shtëpinë tënde këtë mëngjes? Jezusi do t’ju duket ku e ku mjeku më i mirë, shko te Ai menjëherë dhe foli për problemin. Menjëherë parashtroja rastin. Kjo ka të bëjë me njerëzit e Tij dhe prandaj nuk do të jetë e parëndësishme për Të. Vëre se Shpëtimtari menjëherë rimëkëmbi gruan e sëmurë; asnjë nuk mund të shërojë ashtu si Ai. Ne nuk mund të sigurojmë se Zoti do të heqë menjëherë çdo sëmundje prej atyre që duam, por ne dimë se ka shumë gjasa që lutja besimtare për të sëmurin të ndiqet me shërim në krahasim me çdo gjë tjetër në botë dhe atje ku kjo nuk vlen, ne duhet t’i nënshtrohemi me butësi vullnetit të Tij prej të cilit jeta dhe vdekja janë të përcaktuar. Zemra e dhembshur e Jezusit pret të dëgjojë dhembjet tona, le t’i derdhim ato në veshin e Tij të duruar.
2 shtator-mbrëmje
“Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni.”
{Gjoni 4 :48}
Dëshira e zjarrtë për mrekulli ishte simptoma e gjendjes së sëmurë të zemrës së njerëzve në kohën e Zotit tonë; ata refuzuan ushqim të fortë dhe dëshironin me zjarr mrekulli. Nuk donin të kishin Ungjillin për të cilin ata kaq shumë kishin nevojë; ata kërkuan me zell mrekullitë që Jezusi nuk vendosi përherë t’ua japë. Në ditët tona shumë duhet medoemos të shikojnë shenja dhe mrekulli, ose përndryshe nuk do të besojnë. Disa kanë thënë në zemrën e tyre, “duhet të ndjej tmerr të thellë në shpirt, ose përndryshe nuk do të besoj kurrë te Jezusi.” Mirëpo po sikur të mos ta ndjeje kurrë, ashtu si ndoshta me shumë gjasa mund të mos ta ndjesh kurrë me të vërtetë? A do të shkoje në ferr prej mërisë kundrejt Perëndisë, sepse Ai nuk do që të të trajtojë si një tjetër? Njëri i ka thënë vetvetes, “Sikur të shikoja një ëndërr, ose sikur të mundja të ndjeja ndonjë tronditje të papritur që nuk e di çfarë, atëherë do të besoja.”
Kështu pra, ju të vdekshëm të padenjë po ëndërroni se Zoti im duhet të marrë urdhra prej jush! Ju jeni lypës në portën e Tij, duke kërkuar për mëshirë dhe nuk duhet të hartoni rregulla dhe rregullore se si Ai duhet ta japë atë mëshirë. A mendoni se Ai do t’i nënshtrohet kësaj? Zoti im ka një frymë zemërgjerë, por Ai ka një zemër mbretërore të drejtë, Ai shkelmon çdo diktat dhe ruan veprimin e Tij sovran. Pse, lexues i dashur, nëse i tillë është rasti yt, dëshiron me zjarr shenja dhe mrekulli? A nuk është ungjilli vetë shenjë dhe mrekulli? A nuk është kjo mrekullia e mrekullive, se “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të Vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë?” Me siguri ajo fjalë e çmueshme, “ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” dhe ai premtim solemn, “ai që vjen te Unë, nuk do ta hedh jashtë,” janë më mirë se sa shenjat dhe mrekullitë! Një Shpëtimtar i vërtetë duhet të besohet. Ai është vetë e vërteta. Pse do t’i kërkoje provë vërtetësie për Dikë që nuk mund të gënjejë? Vetë djajtë e deklarojnë Atë se është Biri i Perëndisë; a nuk do që ta vendosësh besimin te Ai?
3 shtator-mëngjes
“O ti që të dashuron zemra ime.”
{Kantiku i kantikëve 1:7}
Është mirë që të jesh gati, pa ndonjë “nëse” ose “por” ti thuash Zotit Jezus—Ti që të dashuron zemra ime. Shumë mund të thonë për Jezusin vetëm se shpresojnë se e duan Atë; ata besojnë se e duan Atë, por veçse një përjetim i varfër dhe i cekët do të kënaqej të mbeste këtu. Asnjëri nuk duhet t’i japë pushim frymës së tij derisa të ndihet i sigurtë për një çështje të një rëndësie jetësore të tillë. Ne nuk duhet të kënaqemi me një shpresë sipërfaqësore se Jezusi na do dhe me një besim të pakët se ne e duam Atë. Shenjtorët e vjetër përgjithësisht nuk flisnin me “por” dhe “nëse” dhe “shpresa” dhe “besime,” por ata folën konkretisht dhe troç. “E di kujt i kam besuar,” thotë Pali. “E di se Shpëtimtari im jeton,” tha Jobi. Fito njohuri konkrete të dashurisë tënde për Jezusin dhe mos ji i kënaqur derisa të mund të flasësh për pjesëmarrjen tënde në Të si një realitet, gjë që e ke siguruar duke patur marrë me anë të besimit dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe vulën e Tij mbi shpirt.
Dashuria e vërtetë për Krishtin është në çdo rast vepra e Frymës së Shenjtë dhe duhet të vihet në vepër prej Tij. Ai është shkaku efikas i saj, por arsyeja pse ne e duam Jezusin qëndron në vetë Atë. Pse e duam Jezusin? Sepse na deshi i pari. Pse e duam Jezusin? Sepse Ai “dha jetën e Tij për ne.” Ne kemi jetën me anë të vdekjes së Tij; ne kemi paqen më anë të gjakut të Tij. Edhe pse Ai ishte i pasur, prapëseprapë për hirin tonë Ai u bë i varfër. Pse e duam Jezusin? Për shkak të shkëlqesisë së personit të Tij. Ne jemi të mbushur me një farë ndijimi të bukurisë së Tij! një admirim të hireve të Tij! një ndërgjegjshmëri të përkryerjes së Tij të pafundme! Madhështia e Tij, mirësia e Tij dhe dashuria e Tij, në një rreze të shkëlqyeshme, bashkohen për të mrekulluar shpirtin deri sa është kaq i mahnitur sa thërret, “Po, Ai është tërheqës në çdo pikëpamje.” Dashuri e bekuar kjo—një dashuri që lidh zemrën me zinxhirë më të butë se sa mëndafshi dhe prapëseprapë më të fortë se sa diamanti!
3 shtator-mbrëmje
“Zoti vë në provë të drejtin.”
{Psalmi 11 :5}
Të gjitha ngjarjet janë nën kontrollin e Providencës; rrjedhimisht të gjitha sprovat e jetës sonë të jashtme e kanë origjinën tek Shkaku i parë i madh. Jashtë portës së artë të urdhërimeve të Perëndisë ushtritë e sprovës marshojnë para në rresht, të veshura me armurën e tyre të hekurt dhe të armatosur me armët e tyre të luftës. Të gjitha providencat janë porta për sprovën. Edhe hiret tona, ashtu si trëndafilat, kanë gjembat e tyre. Njerëzit mund të mbyten në detrat e mirëqenies po ashtu si në lumenjtë e zemërdhembjes. Malet tona nuk janë tepër të lartë dhe fushat tona nuk janë tepër të ulta për tundimet: sprovat rrinë në pusi në të gjitha rrugët. Kudo, lart dhe poshtë, ne vizitohemi dhe rrethohemi me rreziqe. Prapëseprapë asnjë rrebesh prej resë kërcënuese nuk bie pa leje; çdo pikë pret urdhrin para se të nxitojë drejt tokës.
Sprovat që vijnë prej Perëndisë dërgohen për të provuar dhe për të forcuar hiret tona, dhe kështu menjëherë për të ilustruar fuqinë e hirit hyjnor, për të provuar sinqeritetin e virtyteve tona dhe për të forcuar energjinë e tyre. Zoti ynë në urtësinë e Tij të pafundme dhe dashurinë e Tij tejet të bollshme, i jep një vlerë kaq të lartë besimit të popullit të Tij sa Ai nuk do t’i kursejë prej atyre sprovave me anë të të cilave besimi forcohet. Ti nuk do të kishe zotëruar kurrë besimin e çmuar që tani të mbështet nëse sprova e besimit tënd nuk do kishte qenë si mes për mes zjarrit. Ti je një pemë që kurrë nuk do të rrënjosej aq mirë nëse era nuk do të kishte shkundur para dhe mbrapa dhe nuk të të bënte të kapje fort të vërtetat e çmueshme të hirit besëlidhës. Lehtësitë e botës janë një armik i madh për besimin; ato lirojnë nyjet e trimërisë së shenjtë dhe këpusin dellin e kurajës së shenjtë. Balloni asnjëherë nuk ngrihet lart pa u prerë litarët; pikëllimi i bën këtë shërbim të mprehtë shpirtrave besimtare. Kur kokrra e grurit fle në rehati në lëvore ajo është e padobishme për njeriun, duhet të shoshitet përpara se vlera e saj të njihet. Kështu edhe Jehovai e sprovon të drejtin, sepse e bën të rritet në Perëndinë.
4 shtator-mëngjes
“Po, e dua, qofsh pastruar!”
{Marku 1:41}
Errësira e qëmotshme dëgjoi Fjalën e Zotit, “le të jetë drita” dhe menjëherë drita ekzistoi dhe Fjala e Zotit Jezus është e barabartë në madhështi me atë fjalë të lashtë fuqie. Shpengimi, ashtu si Krijesa ka fjalën e saj të fuqisë. Jezusi flet dhe bëhet. Lebrës nuk i bënte derman asnjë mjekim njerëzor, por ajo iku menjëherë prej “po, e dua” të Zotit. Sëmundja nuk shfaqte shenja shpresëdhënëse ose tregues rimëkëmbje, natyra nuk ndihmonte në asgjë për shërim, por fjala vetëm kreu të tërë veprën aty në vend dhe një herë e përgjithmonë. Mëkatari është nën një barrë më të mjerueshme se sa lebrosi; le të imitojë shembullin e tij dhe të shkojë te Jezusi, “duke e përgjëruar Atë dhe duke përulur gjunjët përpara Tij.” Le të ushtrojë atë pak besim të vogël që ka, edhe pse nuk do të shkonte më larg se sa “Zot, nëse ti do, mund të më bësh të pastër;” dhe nuk ka asnjë dyshim për sa i përket rezultatit të kërkesës.
Jezusi shëron të gjithë që vijnë dhe nuk flak jashtë asnjë. Duke lexuar tregimin në të cilin teksti ynë i mëngjesit bën pjesë, ia vlen të shënosh se Jezusi preku lebrosin. Ky person i papastër kishte shkelur rregullat e ligjit ritual dhe kishte dalë me forcë nga shtëpia, por Jezusi jo vetëm që nuk e qortoi por edhe Ai vetë e theu ligjin në mënyrë që t’i dilte përpara. Ai bëri një shkëmbim me lebrosin, sepse ndërsa e shëroi atë, Ai mori prej asaj prekje një ndotje levitike. Po kështu pra Jezu Krishti u bë për ne mëkat, edhe pse në vetvete Ai nuk e njohu mëkatin, në mënyrë që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të. Oh sikur mëkatarët e shkretë të shkonin te Jezusi, duke besuar në fuqinë e veprës së Tij të bekuar zëvendësuese, ata do të mësonin shpejt fuqinë e prekjes së Tij të hirshme. Ajo dorë që shumëzoi bukët, që shpëtoi Pjetrin prej zhytjes, që mbështet shenjtorët e dëshpëruar, që kurorëzon besimtarët, po ajo dorë do të prekë çdo mëkatar kërkues dhe në një çast do ta bëjë të pastër. Dashuria e Jezusit është burimi i shpëtimit. Ai na do, Ai na shikon, Ai na prek, NE JETOJMË.
4 shtator-mbrëmje
“Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë.”
{Levitiku 19 :36}
Peshat, shkallët dhe masat duhet të ishin të gjitha sipas standardit të drejtësisë. Me siguri asnjë i krishterë nuk ka nevojë t’i përmendet kjo gjë në biznesi e tij, sepse nëse drejtësia nuk do të gjendej më në gjithë botën përreth, me siguri që do të gjente një strehë në zemrat besimtare. Megjithatë ka peshore të tjera që peshojnë gjëra shpirtërore dhe morale, dhe këto kanë nevojë shpesh për një kontroll. Ne do të thërrasim inspektorin sonte. Peshoret ku ne peshojmë karakterin tonë dhe të njerëzve të tjerë, a janë ato dhe aq të sakta? A nuk i kthejmë ne gramët tona të mirësisë në kilogramë dhe shinikët e shkëlqesisë të të tjerëve në hiç gjë? Shiko peshat dhe masat këtu, i krishterë. Peshoret në të cilat ne masim sprovat dhe mundimet tona, a janë sipas standardit? Pali që pati për të vuajtur më shumë se ne, i quajti mundimet e tij të lehta, dhe prapëseprapë ne shpesh i konsiderojmë tonat se janë të rënda—me siguri diçka duhet të jetë gabim me peshat!
Ne duhet të tregojmë kujdes për këtë çështje, në mënyrë që të mos ngrehet padi kundër nesh në gjykatën lart në Qiell për biznes të padrejtë. Ato peshat më anë të të cilave ne masim besimin tonë doktrinal, a janë aq të sakta? Doktrinat e hirit duhet të kenë të njëjtën peshë për ne ashtu si parimet e Fjalës, as më shumë dhe as më pak, por është për t’u pasur frikë se shumë veta përdorin dy peshore. Është një çështje madhore të japësh me të vërtetë një masë të saktë. I krishterë, ji i kujdesshëm këtu. Ato masat ku ne vlerësojmë detyrimet tona dhe përgjegjësitë tona duken tepër të vogla. Kur një njeri i pasur nuk jep më shumë për kauzën e Perëndisë se sa i varfëri, a është kjo një efa e saktë dhe një hin i saktë? Kur pastorët janë përgjysmë të uritur, a është kjo një ujdi e ndershme? Kur të varfërit janë të përçmuar, ndërsa të pasurit e papërshpirtshëm admirohen, a është kjo një peshore e saktë? Lexues, ne mund ta zgjasim listën, por parapëlqejmë të ta ngarkojmë ty si punën tënde të mbrëmjes për të gjetur dhe për të shkatërruar të gjitha peshoret, peshat dhe masat e pasakta.
5 shtator-mëngjes
“I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!”
{Psalmi 120 :5}
Si i krishterë të duhet të jetosh në mes të një bote të papërshpirtshme dhe nuk do të të shërbente hiç gjë të bërtisje “i mjeri unë.” Jezusi nuk u lut që ne të largohemi prej kësaj bote dhe ti nuk ke pse të dëshirosh atë për të cilën Ai nuk u lut. Është shumë më mirë të përballosh vështirësinë me forcën e Zotit dhe t’i japësh lavdi Atij në të. Armiku është gjithmonë zgjuar për të pikasur luhatshmëri në sjelljen tonë; ji pra i shenjtë. Kujto se sytë e të gjithëve janë mbi ty dhe se pritet më shumë nga ty se prej çdo njeriu tjetër. Përpiqu të mos japësh rast për kritikë. Le të jetë mirësia jote i vetmi gabim që ata mund të zbulojnë në ty. Ashtu si Danieli, shtrëngoi që të thonë për ty, “Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë së Tij.” Kërko të jesh i dobishëm po aq sa i qëndrueshëm.
Ndoshta ti mendon, “nëse do të isha në ndonjë pozicion më të favorshëm do të mund t’i shërbeja kauzës së Zotit, por unë nuk mund të bëj ndonjë gjë të mirë këtu ku jam,” por sa më të këqij të jenë njerëzit në mes të të cilëve ti jeton, aq më shumë ato kanë nevojë për përpjekjet e tua; nëse ato janë të mbrapshtë, aq më tepër për ty për t’i sjellë në udhë të mbarë; dhe nëse ato janë të shtrembër, aq më tepër për ty për t’i kthyer zemrat e tyre tek e vërteta. Ku duhet të jetë mjeku përveçse atje ku ka shumë të sëmurë? Ku ka për t’u fituar nderi prej ushtarit përveçse në zjarrin më të nxehtë të betejës? Dhe kur je i lodhur prej grindjes dhe mëkatit që has në çdo anë, merr në konsideratë se të gjithë shenjtorët kanë duruar të njëjtin mundim. Ata nuk u çuan në qiell mbi shtretër me pupla dhe ti mos prit se do të udhëtosh më lehtë se ato. Atyre iu desh të rrezikonin jetën e tyre në terrene të vështira dhe ti nuk do të kurorëzohesh derisa edhe ti të kesh duruar vështirësinë ashtu si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit. Prandaj, “qëndroni të patundur në besim, silluni si burra, bëhuni të fortë.”
5 shtator-mbrëmje
“A ke arritur vallë deri në burimet e detit?”
{Jobi 38 :16}
Disa gjëra në natyrë duhet të mbesin një mister edhe për hulumtuesit më inteligjentë dhe më me iniciativë. Njohuria njerëzore ka kufi përtej së cilëve nuk mund të kalojë dot. Njohuria universale është vetëm për Perëndinë. Nëse është kështu për gjërat që shihen dhe janë të përkohshme, unë mund të jem i bindur se është aq më tepër kështu në çështjet shpirtërore dhe të përjetshme. Pse atëherë kam torturuar trurin tim me spekulimet përsa i përket fatit dhe vullnetit, fatit të përcaktuar dhe përgjegjësisë njerëzore? Këto të vërteta të errëta dhe të thella nuk jam më i aftë t’i kuptoj se sa të zbuloj thellësitë që fshihen poshtë, nga ku oqeani i vjetër ka depot e tij ujore. Pse jam kaq kureshtar për të njohur arsyen e providencës së Zotit tim, motivin e veprimeve të Tij, qëllimin e vizitave të Tij? A do të jem ndonjëherë i aftë të mbërthej diellin në grushtin tim dhe të mbaj universin në pëllëmbën time? Prapëseprapë ato janë si pikat e një kove uji të krahasuara me Zotin Perëndinë tim.
Le të mos përpiqem të kuptoj të pafundmen, por le të shpenzoj forcën time në dashuri. Atë që nuk mund të fitoj me intelekt mund ta zotëroj me dashuri dhe kjo le të më mjaftojë. Unë nuk mund të depërtoj zemrën e detit, por mund të gëzoj flladet freskuese që fryjnë mbi kraharorin e tij dhe mund të lundroj mbi dallgët e tij blu me erëra të mbara. Nëse do të mund të hyja në burimet e detit, kjo bëmë nuk do t’i shërbente asnjë qëllimi të dobishëm si për mua ashtu edhe për të tjerët, nuk do të shpëtonte varkën që fundoset, as nuk do t’i kthente mbrapa marinarin e mbytur gruas vajtuese dhe fëmijëve të tij; as edhe zgjidhjet e mia të mistereve të thella nuk do të më vlenin as edhe një thërrimë, sepse dashuria më e vogël për Perëndinë dhe akti më i thjeshtë i bindjes, janë më mirë se sa njohuritë më të thella. Zoti im, të pafundmen ta lë Ty dhe të lutem të largosh prej meje një dashuri të tillë për pemën e njohurisë aq sa të më mbante larg prej pemës së jetës.
6 shtator-mëngjes
“Pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë.”
{Filipianët 2 :15}
Ne përdorim drita për të vënë në dukje. Ashtu duhet të ndriçojë një i krishterë në jetën e tij, që ndonjëri të mos mund të jetojë me të një javë pa njohur ungjillin. Biseda e tij duhet të jetë e tillë që të gjithë ata që janë rreth tij duhet të dallojnë qartë kush është ai dhe kujt i shërben; dhe duhet të shikojnë imazhin e Jezusit të pasqyruar në veprimet e tij të përditshme. Dritat janë synuar për të dhënë drejtim. Ne duhet të ndihmojmë ato rreth e përqark nesh që janë në errësirë. Ne duhet t’i shpiem atyre Fjalën e jetës. Ne duhet t]u dëftejmë mëkatarëve Shpëtimtarin dhe atyre që janë të rraskapitur një vend çlodhës hyjnor. Njerëzit ndonjëherë lexojnë Biblën e tyre dhe dështojnë ta kuptojnë; ne duhet të jemi të gatshëm, si Filipi, të mësojmë kërkuesin për sa i përket domethënies së Fjalës së Perëndisë, udhën e shpëtimit dhe jetën e përshpirtshmërisë.
Dritat përdoren gjithashtu për paralajmërim. Duhet ngritur një far mbi shkëmbinjtë dhe vendet e rrezikshme. Të krishterët duhet të dinë se ka shumë drita të rreme të shfaqur kudo në botë prandaj dhe nevoja për dritën e duhur. Anijet ndihmëse të satanit janë përherë jashtë në veprim, duke tunduar të papërshpirtshmin të mëkatojë nën emrin e kënaqësisë; ata ngrenë lart dritën e gabuar, le të jetë detyra jonë të vendosim dritën e vërtetë mbi çdo shkëmb të rrezikshëm, të vëmë në dukje çdo mëkat dhe të themi ku shpie, që kështu të jemi të larë prej gjakut të çdo njeriu, duke shkëlqyer si drita në këtë botë. Dritat kanë gjithashtu një ndikim shumë inkurajues dhe po kështu kanë dhe të krishterët. Një i krishterë duhet të jetë një ngushëllues, me fjalë mirëdashëse në buzët e tij dhe simpati në zemrën e tij; ai duhet të çojë dritëdielli kudo që shkon dhe të përhapë lumturi përreth tij.
Frymë e hirshme qëndro me mua;
Edhe unë dua të jem i hirshëm,
Dhe me fjalë që ndihmojnë dhe shërojnë
Dua që jeta Jote të zbulohet me jetën time,
Dhe me veprime të buta dhe me kurajë
Dua të flas për Krishtin, Shpëtimtarin tim.
6 shtator-mbrëmje
“Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.”
{Galatasve 5 :18}
Ai që shikon te karakteri dhe pozicioni i tij nga një pikëpamje ligjore, jo vetëm që do të dëshpërohet mbas këtij shqyrtimi, por nëse do të ishte një njeri i urtë do të dëshpërohej menjëherë; sepse nëse jemi për t’u gjykuar mbi bazën e ligjit, asnjë mish i gjallë nuk do të jetë i justifikuar. Sa të bekuar ndërsa dimë se banojmë në domenet e hirit dhe jo të ligjit! Ndërsa mendoj për gjendjen time përpara Perëndisë pyetja nuk është, “A jam i përkryer në vetvete përpara ligjit?” por, “A jam i përkryer në Krishtin Jezus?” Kjo është një çështje shumë e ndryshme. Ne nuk kemi nevojë për të hulumtuar, “A jam prej natyre pa mëkat?” por, “A jam larë në burimin e hapur për mëkatin dhe papastërtinë?”
Pyetja nuk është “A jam në vetvete i këndshëm para Perëndisë?” por është “A jam i pranuar në Shumë të Dashurin?” I krishteri e shikon sigurinë e shpëtimit prej majës së Sinait dhe bëhet i alarmuar në lidhje më shpëtimin e tij; do të ishte shumë më mirë sikur të lexonte titullin e tij me dritën e Kalvarit. “Obobo”, thotë ai, “besimi im përmban mosbesim, nuk mund të më shpëtojë.” Merre me mend sikur të kishte marrë në konsideratë objektin e besimit të tij në vend të besimit të tij, atëherë ai do të kishte thënë, “Nuk ka dështim në Të dhe prandaj jam i sigurtë.” Ai psherëtin mbi shpresën e tij: “Ah! shpresa ime është e dëmtuar dhe e zbehur prej një shqetësimi të ankthshëm për gjërat e tashme; si mund të pranohem vallë?” Sikur të kishte vështruar themelin e shpresës së tij, ai do të kishte parë se premtimi i Perëndisë qëndron i sigurtë dhe se çfarëdo të jenë dyshimet tona, betimi dhe premtimi nuk dështon kurrë. Ah! besimtar, është përherë më e sigurtë për ty të udhëhiqesh në lirinë e ungjillit prej Frymës se sa të vësh zinxhirët ligjorë. Gjykoje veten duke u mbështetur mbi faktin se çfarë është Krishti dhe jo çfarë je ti. Satani do të përpiqet të prishë paqen tënde duke të të sjellë ndërmend mëkatshmërinë dhe papërkryerjen tënde: ti mund t’i përgjigjesh akuzave të tij vetëm duke iu përmbajtur besnikërisht ungjillit dhe duke kundërshtuar të veshësh zgjedhën e skllavërisë.
7 shtator-mëngjes
“Por, duke qenë se nuk mund t`i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.”
{Marku 2:4}
Besimi është plot me shpikje. Shtëpia ishte plot, një turmë bllokonte derën, por besimi gjeti një udhë për të shkuar te Zoti dhe për të vendosur njeriun e paralizuar përpara Tij. Nëse nuk i çojmë mëkatarët atje ku ndodhet Jezusi me anë të metodave të zakonshme, atëherë ne duhet të përdorim metoda të jashtëzakonshme. Duket sipas Llukës 5:19, se duhej zbuluar pullazi, duke ngritur tym dhe duke shkaktuar një farë rreziku për njerëzit poshtë, por atje ku rasti është shumë urgjent ne nuk duhet të shqetësohemi për ndërmarrjen e ca rreziqeve dhe për thyerjen e mirësjelljes. Jezusi ishte atje për të shëruar dhe prandaj çfarë do që të ndodhë, besimi guxon gjithçka në mënyrë që i paralizuari të mund të ketë mëkatet e tij të falura. Oh sikur të kishim më besim guxues në mes nesh! I dashur lexues, a nuk mund ta kërkojmë këtë mëngjes për veten tonë dhe për bashkëpunëtorët tonë dhe a nuk do të përpiqeshim sot të kryenim ndonjë veprim të guximshëm për dashurinë e shpirtrave dhe lavdinë e Zotit.
Bota është duke shpikur vazhdimisht; gjenia i shërben e gjitha qëllimeve të dëshirës njerëzore: a nuk mund të shpikë besimi gjithashtu dhe të arrijë me anë të ca mënyrave të reja të përjashtuarit përreth nesh që janë duke vdekur? Ishte prania e Jezusit që nxiti kurajë fitimtare te katër mbajtësit e burrit të paralizuar; a nuk është Zoti në mes nesh? A e kemi parë fytyrën e Tij për veten tonë këtë mëngjes? A e kemi ndjerë fuqinë e Tij shëruese në vetë shpirtrat tonë? Nëse po, atëherë përmes derës, përmes dritares, ose përmes çatisë, duke çarë gjithë pengesat le të punojmë derrçe për të sjellë shpirtrat e varfër te Jezusi. Të gjitha mjetet janë të mira dhe të denja kur besimi dhe dashuria janë të vendosur me të vërtetë për të shpëtuar shpirtrat. Nëse uria për bukë mund të shkatërrojë mure prej guri, me siguri uria për shpirtrat nuk do të pengohet në përpjekjet e saj. O Zot, na bëj të shpejtë për të sugjeruar metoda për të arritur të gjorët e tu të sëmurë nga mëkati dhe me trimëri t’i nxjerrim jashtë çdo rreziku.
7 shtator-mbrëmje
“Ka një stuhi të madhe në det, që nuk mund të qetësohet.”
{Jeremia 49 :23}
Ne dimë pak se çfarë stuhie mund të ketë tani mbi det. Ne jemi të sigurtë në dhomën tonë të qetë, por atje larg mbi detin e kripur stuhia mund të jetë duke rrezikuar në mënyrë mizore jetët e njerëzve. Dëgjoni se si djajtë e vdekjes angullijnë midis litarëve; se si çdo anije kërcet ndërsa dallgët godasin si një krye dash mbi anijen! Perëndia ju ndihmoftë o të shkretë njerëz të lodhur dhe të bërë qull! Lutja ime shkon lart te Zoti i madh i detit dhe i tokës, që Ai të qetësojë stuhinë dhe t’ju sjellë në limanin e dëshiruar! Por unë duhet të ofroj lutjen time veç atëherë kur mund t’i vij në ndihmë atyre njerëzve të kalitur që rrezikojnë jetën e tyre aq vazhdimisht. A kam bërë ndonjë gjë për to? Çfarë mund të bëj?
Sa shpesh deti i papërmbajtshëm ka gëlltitur marinarin! Mijëra trupa shtrihen atje ku perlat janë në thellësi. Ka trishtim vdekje mbi det, që i bëhet jehonë në zinë e gjatë të vejushave dhe jetimëve. Kripa e detit është në shumë sy nënash dhe vejushash. Ju shkulme pa keqardhje, ju keni përpirë dashurinë e gruas dhe pritjen e familjeve. Çfarë ringjallje do të ketë prej shpellave të thellësisë kur deti do të kthejë të vdekurit e tij! Deri atëherë do të ketë trishtim mbi det. Njësoj sikur të kishte keqardhje për dhembjet e tokës, deti po bren përherë mijëra brigje, duke psherëtirë me një britmë të trishtueshme, duke buçitur me një kërcitje të mbytur, duke shkumëzuar me një pakënaqësi të zhurmshme, duke u pezmatuar me një zemërim të ngjirur, ose duke cakëlluar prej zërave të dhjetëra mijërave guralecëve. Ulërima e detit mund të jetë e gëzueshme për një frymë të hareshme, por për birin e trishtimit, oqeani i madh është akoma më dëshpërues se sa bota e madhe. Kjo nuk është çlodhja jonë dhe shkulma e trazuar na e bën te ditur këtë. Ka një tokë ku nuk ka më det—fytyrat tona janë të kthyera drejt saj me vendosmëri; ne po shkojmë te vendi për të cilin Zoti ka folur. Deri atëherë, ne ia hedhim trishtimet tona Zotit që shkeli detin në kohët e vjetra dhe që hapi një udhë për popullin e Tij përmes thellësive.
8 shtator-mëngjes
“Fryti yt vjen prej meje”
{Osea 14 :6}
Fryti jonë vjen prej Perëndisë si bashkim. Fryti i degës vjen prej rrënjës. Këpute lidhjen, dega vdes dhe asnjë fryt nuk prodhohet. Me anë të virtytit të bashkimit tonë me Krishtin ne prodhojmë fryt. Çdo vile rrushi në fillim vjen prej rrënjës, më pas ka kaluar në kërcell dhe ka rrjedhur nëpërmjet enëve të limfës dhe formohet së jashtmi në fryt, por ama në fillim ishte në kërcell; po ashtu çdo vepër e mirë ishte në fillim në Krishtin dhe më pas prodhohet brenda nesh. O i krishterë, vlerësoje këtë bashkim të çmuar me Krishtin, sepse duhet të jetë burimi i të gjithë prodhimtarisë që ti mund të shpresosh të njohësh. Nëse nuk do të ishe i bashkuar me Jezu Krishtin, ti do të ishe me të vërtetë një degë sterile.
Fryti jonë vjen prej Perëndisë si providencë shpirtërore. Kur pikat e vesës bien prej qiellit, kur retë shikojnë poshtë prej së larti dhe janë gati të distilojnë thesarin e tyre të lëngshëm, kur dielli i shndritshëm rrit kokrrat e viles së rrushit, çdo mirësi qiellore i pëshpërit pemës dhe i thotë, “Fryti jot vjen prej meje.” Fryti i detyrohet shumë rrënjës—kjo është thelbësore për pjellorinë, por i detyrohet shumë edhe ndikimeve të jashtme. Sa shumë që i detyrohemi providencës të hirshme të Perëndisë me të cilën Ai na ushqen vazhdimisht me gjallërim, mësim, ngushëllim, forcë ose çdo gjë tjetër që ne kemi nevojë. I detyrohemi providencës për të gjithë dobishmërinë tonë dhe virtytin tonë . Fryti jonë vjen prej Perëndisë si një përkujdesje e urtë. Tehu i mprehtë i thikës së kopshtarit nxit prodhimtarinë e pemës, duke krasitur dhe duke rralluar vilet dhe duke prerë filizat e tepërt. Po ashtu është, i krishterë, me atë krasitje që Zoti të jep ty. “Ati im është vreshtari. Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, Ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, Ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.” Përderisa Perëndia ynë është autori i hireve tona shpirtërore, le t’i japim Atij të gjithë lavdinë e shpëtimit tonë.
8 shtator-mbrëmje
“Madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së Tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së Tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish.”
{Efezianët 1 :19,20}
Në ringjalljen e Krishtit, ashtu si në shpëtimin tonë, u shfaq veçse fuqia hyjnore në gjithë forcën e saj. Çfarë duhet të themi për ata që mendojnë se kthimi në besim jetësohet prej vullnetit të lirë të njeriut dhe i detyrohet prirjes së tij të mirë? Veçse kur të shohim të vdekurit të ngrihen prej varrit me anë të fuqisë së tyre, atëherë mund të shpresojmë të shohim mëkatarë të papërshpirtshëm të kthehen te Krishti me anë të vetë vullnetit të tyre të lirë. Nuk është as fjala e predikuar dhe as fjala e lexuar që kanë fuqi gjallëruese në vetvete, por çdo fuqi gjallëruese rrjedh prej Frymës së Shenjtë. Kjo fuqi ishte e parezistueshme. Të gjithë ushtarët dhe kryepriftërinjtë nuk mund ta mbanin dot trupin e Krishtit në varr; vetë vdekja nuk mund ta mbante Jezusin në prangat e saj; po ashtu e parezistueshme është fuqia e shfaqur në besimtarin kur ai ngrihet në risi jete.
Asnjë mëkat, asnjë korruptim, as djajtë në ferr, as mëkatarët mbi tokë, nuk mund ta ndalojnë dorën e hirit të Zotit kur Ai ka për qëllim të kthejë në besim një njeri. Nëse Perëndia i plotfuqishëm thotë, “Ti do të duash,” njeriu nuk do të thotë, “nuk dua.” Vëre se fuqia që ngriti Krishtin prej së vdekuri ishte e lavdishme. Ajo i dha nder Perëndisë dhe tmerroi rrëmetin e lig. Po ashtu ka një lavdi të madhe për Perëndinë në kthimin në besim të çdo mëkatari. Ishte fuqi e përjetshme. “Krishti duke qenë i ngjallur prej së vdekuri nuk vdes më; vdekja nuk ka më pushtet mbi Të.” Po ashtu dhe ne, duke qenë të ngjallur prej së vdekuri, nuk shkojmë prapa përsëri te veprat tona të vdekura ose te korruptimet tona të vjetra, por ne jetojmë në Perëndinë. “Sepse Ai jeton, ne jetojmë gjithashtu.” “Sepse ne jemi të vdekur dhe jeta jonë është e fshehur me Krishtin në Perëndinë.” “Ashtu si Krishti u ngjall prej së vdekuri me anë të lavdisë së Atit, edhe ne gjithashtu duhet të ecim në risi jete.” Së fundi, vini re në tekst bashkimin e jetës së re me Jezusin. E njëjta fuqi që ngjalli Kokën vepron jetë në gjymtyrët. Çfarë bekimi të ngjallemi bashkë me Krishtin!
9 shtator-mëngjes
“M’u drejto dhe Unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.”
{Jeremia 33 :3}
Ka përkthime të ndryshme të këtyre fjalëve. Një version e përkthen, “do të të tregoj gjëra të mëdha dhe të pahulumtueshme.” Një tjetër, “të mëdha dhe të panjohura.” Tani, ka gjëra të panjohura dhe të veçanta në eksperiencën e të krishterit; të gjitha zhvillimet e jetës shpirtërorë nuk janë të gjitha njëlloj të lehta për t’u arritur. Janë gjendjet dhe ndjenjat e përbashkëta të pendimit, besimit, gëzimit dhe shpresës, që gëzohen prej së gjithë familjes, por ka një sferë kënaqësie të madhe, shoqërimi dhe bashkimi me Krishtin, që nuk është aspak vendbanimi i përbashkët i besimtarëve. Të gjithë ne nuk e kemi privilegjin e lartë të Gjonit, për t’u mbështetur mbi kraharorin e Jezusit; ose të Palit, për t’u ngritur lart në qiellin e tretë.
Ka lartësi në njohurinë përjetuese të gjërave të Perëndisë që syri i shqiponjës i mendimit mendjemprehtë dhe filozofik nuk i ka parë kurrë; Perëndia vetëm mund të na shpjerë atje, por qerrja në të cilën Ai na çon lart dhe kuajt e zjarrtë me anë të cilëve qerrja tërhiqet, janë lutjet mbizotëruese. Lutja mbizotëruese është fitimtare mbi Perëndinë e mëshirës, “Me fuqinë e saj ai pati fuqi me Perëndinë; po, ai pati fuqi mbi engjëllin dhe mbizotëroi; ai qau dhe i bëri përgjërime; Ai e gjeti atë në Betel dhe atje Ai foli me ne.” Lutja mbizotëruese e shpie të krishterin në Karmel dhe e mundëson atë të mbulojë qiellin me re bekimi dhe tokën me ujëra mëshire. Lutja mbizotëruese e shpie të krishterin lart në Pisga dhe i tregon atij trashëgiminë e ruajtur për të; ajo na ngre në Tabor dhe na shpërfytyron, sipas shëmbëlltyrës së Zotit tonë, ashtu si Ai është, po ashtu jemi dhe ne në këtë botë. Nëse ti do të doje të arrije diçka më të lartë se një përjetim të zakonshëm dhe të vakët, shiko te Shkëmbi që është më i lartë se ty dhe vështro me syrin e besimit përmes dritares së lutjes këmbngulëse. Kur ti e hap dritaren nga ana jote, nuk do të kyçet nga ana tjetër.
9 shtator-mbrëmje
“Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha.”
{Zbulesa 4 :4}
Shkruhet për këto përfaqsues së shenjtorëve në qiell se janë rreth e qark fronit. Në pjesën e Kantikut të Kantikëve ku Salomoni këndon për Mbretin e ulur në tryezën e tij, disa e përkthejnë në “tryezë të rrumbullakët.” Prej kësaj, disa komentues, mendoj, pa e shtrembëruar tekstin, kanë thënë, “Ka barazi midis shenjtorëve.” Kjo ide është e përcjellë prej afërsisë së njëjtë të njëzet e katër pleqve. Gjendja e frymëve të lavdëruara në qiell është ajo e afërsisë me Krishtin, pamjes të qartë të lavdisë së Tij, hyrjes së vazhdueshme në oborrin e Tij dhe shoqërimit të ngushtë me personin e Tij; në këtë drejtim nuk ka asnjë dallim mes shenjtorëve, por i gjithë populli i Perëndisë, apostujt, martirët, pastorët,ose të krishterë të panjohur dhe të thjeshtë, do të ulen të gjithë afër fronit, ku do të vështrojnë përherë Zotin e tyre të lartësuar dhe do të kënaqen me dashurinë e Tij.
Ata do të jenë të gjithë afër me Krishtin, të gjithë të mahnitur me dashurinë e Tij, të gjithë duke ngrënë dhe duke pirë në të njëjtën tryezë me Të; si të përzgjedhurit dhe shokët e Tij të gjithë janë të shumëdashur, edhe pse jo të gjithë të shpërblyer barabar si shërbyes të Tij. Besimtarët në tokë le të imitojnë shenjtorët në qiell në afërsinë e tyre me Krishtin. Ne në tokë le të jemi siç janë pleqtë në qiell, të ulur rreth fronit. Le të jetë Krishti objekti i mendimeve tona dhe qendra e jetëve tona. Si mund të durojmë të jetojmë në një largësi të tillë prej të Shumëdashurit tonë? Zoti Jezus, na tërhiq më afër me Ty. Na thuaj, “qëndroni në Mua dhe Unë do të qëndroj në ju;” dhe na lejo të këndojmë, “Dora e tij e majtë është nën kokën time dhe dora e tij e djathtë më përqafon.”
Oh më ngre më lart, më afër Teje,
Dhe ndërsa ngrihem më i pastër e më i përgatitur,
Oh përulësia e shpirtit tim
Të më ulë më poshtë te këmbët e Tua;
Duke besuar më pak vetveten, më tepër provoj
Ngushëllimin e bekuar të dashurisë Tënde.
10 shtator-mëngjes
“Pastaj Ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek Ai.”
{Marku 3:13}
Këtu ishte sovraniteti. Frymët e paduruara mund të pezmatohen dhe inatosen, sepse nuk janë të thirrura në vendet e larta në shërbesë, por lexues, gëzohu duke ditur se Jezusi thërret atë që do. Nëse Ai do të më japë si detyrë të jem portier në shtëpinë e Tij, unë do ta bekoj Atë me gëzim për hirin e Tij që më lejon të bëj ndonjë gjë në shërbimin e Tij. Thirrja e shërbëtorëve të Krishtit vjen nga lart. Jezusi qëndron mbi mal, gjithmonë mbi botën, në shenjtëri, zell, dashuri dhe pushtet. Ata që Ai thërret duhet të ngjiten lart në mal te Ai; ata duhet të kërkojnë të ngrihen në nivelin e Tij duke jetuar në shoqërim të vazhdueshëm me Të. Ata ndoshta nuk mund të jenë të aftë për t’u ngjitur në nderime klasike, ose të arrijnë spikamë diturie, por ata ashtu si Moisiu duhet të ngjiten në malin e Perëndisë dhe të kenë lidhje të ngushtë me Perëndinë e padukshëm, ose përndryshe nuk do të mund kurrë të jenë të përshtatshëm për të shpallur ungjillin e paqes.
Jezusi shkonte mënjanë për të mbajtur shoqërim të lartë me Atin dhe ne duhet të hyjmë në të njëjtin shoqërim nëse do të donim të bekonim të afërmin tonë. Nuk është për t’u çuditur se apostujt u veshën me fuqi kur ata zbritën poshtë të freskët, nga mali ku Jezusi ndodhej. Këtë mëngjes ne duhet të përpiqemi të ngjisim malin e shoqërimit, që atje të caktohemi për punën e një jete për të cilën ne jemi vënë veçan. Le të mos shikojmë sot fytyrën e njeriut derisa të shikojmë Jezusin. Koha e kaluar me Të sjell përfitime të bekuara. Ne gjithashtu do të flakim jashtë djaj dhe do të bëjmë mrekulli nëse shkojmë poshtë në botë të ngjeshur me atë energji hyjnore që vetëm Krishti mund të japë. Nuk është e dobishme të shkosh në betejat e Zotit nëse nuk jemi të armatosur me armë qiellore. Ne duhet të shikojmë Jezusin, kjo është kryesorja. Në fronin e mëshirës ne do të presim gjatë derisa Ai të na shfaqet ashtu si nuk i shfaqet botës dhe derisa të mund të themi me vërtetësi, “Ne ishim me Të në Malin e Shenjtë.”
10 shtator-mbrëmje
“Ujqërit e mbrëmjes.”
{Habakuk 1 :8}
Ndërsa përgatisja këtë volum, kjo shprehje e veçantë më erdhi në mend aq shpesh, aq sa vendosa t’i kushtoja një faqe në mënyrë që të mos më ndiqte më me kaq ngulm. Ujku i mbrëmjes, i tërbuar prej një dite urie, ishte më i egër dhe më grabitqar se në mëngjes. A nuk do të përfaqsonte krijesa e tërbuar dyshimet dhe ndruajtjet tona pas një dite hutimi, humbjesh në biznes dhe ndoshta fyerjesh të pahijshme prej të afërmit tonë? Shiko se si mendimet tona ulërijnë në veshët tonë, “Ku është Perëndia yt tani?” Sa të pangopur dhe të babëzitur janë ato, duke gëlltitur të gjithë sugjerimet e ngushëllimit dhe duke qëndruar po aq të uritur sa më përpara. Bari i Madh, vrit këta ujqër të mbrëmjes dhe urdhëroje delen tënde të shtrihet në kullota të gjelberta, e pashqetësuar prej mosbesimit të pangopur. Sa të ngjashëm janë djajtë e ferrit me ujqërit e mbrëmjes, sepse kur kopeja e Krishtit është në ditë me re dhe të errët dhe dielli i saj duket se po perëndon, ata nxitohen të shqyejnë dhe të gllabërojnë. Ata zor se do të sulmojnë të krishterin në dritën e ditës së besimit, por ama në muzgun e konfliktit të shpirtit ato bien mbi të. O Ti që ke dhënë jetën Tënde për delet, ruaji ata prej kthetrave të ujkut.
Mësuesit e rremë që gjuajnë me shkathtësi dhe me zell për jetën e çmuar, duke gllabëruar njerëzit me gënjeshtrat e tyre, janë po aq të rrezikshëm dhe të urryeshëm sa ujqërit e mbrëmjes. Errësira është elementi i tyre, mashtrimi është karakteri i tyre, shkatërrimi është fundi i tyre. Ne jemi shumë në rrezik prej tyre kur ata veshin lëkurën e deles. I bekuar është ai që ruhet prej tyre, sepse mijëra janë bërë pre e ujqërve të rrezikshëm që hyjnë brenda grigjës së Kishës. Çfarë mrekullie hiri është kur përndjekës të zjarrtë kthehen në besim sepse atëherë ujku banon me qengjin dhe njerëz të prirjeve mizore të pakontrollueshme bëhen të butë dhe të mësueshëm. O Zot, kthe në besim shumë të tillë; për të tillë ne do të lutemi sonte.
11 shtator-mëngjes
“Dilni nga gjiri i tyre dhe ndahuni prej tyre.”
{2 Korintasve 6:17}
I krishteri, ndërsa është në botë, nuk duhet t’i përkasë botës. Ai duhet të dallohet nga bota në objektin e madh të jetës së tij. Për të, “të jetojë,” duhet të jetë “Krishti.” Nëse ha ose pi ose çfarëdo që bën, ai duhet të bëj gjithçka për lavdinë e Perëndisë. Ti mund të grumbullosh thesare, por ama grumbullo lart në qiell, ku as mola as ndryshku nuk prishin dot, ku hajdutët nuk thyejnë as vjedhin. Ti mund të përpiqesh të jesh i pasur, por le të jetë ambicia jote për të qenë “i pasur në besim,” dhe në vepra të mira. Ti mund të kënaqesh, por kur të jesh i gëzuar, këndo psalme dhe krijo melodi në zemrat tënde për Zotin. Në frymën tënde po ashtu si në qëllimin tënd, ti duhet të ndryshosh nga bota.
Duke pritur përulësisht përpara Perëndisë, gjithmonë i ndërgjegjshëm për praninë e Tij, duke u kënaqur në shoqërim në Të dhe duke kërkuar vullnetin e Tij, ti do të provosh se i përket një race qiellore; dhe ti duhet të jesh i ndarë prej botës në veprimet e tua. Nëse një gjë është e drejtë, edhe pse humbet prej saj, duhet bërë; nëse është e gabuar, edhe pse do të fitoje prej saj, ti duhet të përçmosh mëkatin për hir të Zotit tënd. Ti nuk duhet të kesh bashkëshoqërim me veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi dënoji ata. Ec denjësisht sipas thirrjes dhe dinjitetit tënd të lartë. Kujto, o i krishterë, se je një bir i Mbretit të mbretërve. Prandaj, ruaje veten të panjollosur prej botës. Mos i ndyj gishtat që së shpejti do të prekin harpën qiellore; këto sy që së shpejti do të shohin Mbretin në bukurinë e Tij le të mos bëhen dritaret e epshit—këto këmbë që së shpejti do të ecin mbi rrugët prej ari le të mos përlyhen në batak—këto zemra që së shpejti do të mbushen me qiellin dhe do të gufojnë me gëzim të hareshëm le të mos mbushen me krenari dhe me hidhërim.
Atëherë ngrihu shpirti im!dhe ik tutje,
Mbi turmën e pamend;
Mbi gëzimet e gazmorit,
Dhe shkëlqimet e krenarit ;
Lart ku bukuritë e përjetshme lulëzojnë,
Dhe kënaqësitë janë të gjitha hyjnore;
Ku pasuritë kurrë nuk mbarojnë,
Dhe ku lavdi të pafundme shndrisin.
11 shtator-mbrëmje
“O Zot më udhëhiq në drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi.”
{Psalmi 5 :8}
Shumë e hidhur është armiqësia e botës kundër popullit të Krishtit. Njerëzit do të harrojnë mijëra gabime te të tjerët, por ata do të fryjnë edhe shkeljen më të vogël të një ndjekësi të Jezusit. Në vend që më kot të kemi keqardhje për këtë, le të përfitojmë dhe përderisa kaq shumë po presin që të ndalojmë në rrugën tonë, le të jetë ky një motiv i veçantë për të ecur me kujdes përpara Perëndisë. Nëse ne jetojmë pa kujdes, bota me sy rrëqebulli do ta shohë shumë shpejt dhe me qindra gjuhët e saj, do të shpërndajë historinë, të ekzagjeruar dhe të sajuar prej zellit të shpifjes. Ata do të klithin triumfalisht. “Aha! Pa shiko! Shiko se si veprojnë këto të krishterë! Ata janë hipokritë.” Kështu shumë dëm do t’i bëhet kauzës së Krishtit dhe shumë fyerje emrit të Tij.
Kryqi i Krishtit është në vetvete një skandal për botën; le të kemi kujdes që të mos shtojmë skandalet tona. Është “skandal për judenjtë;” le të kemi kujdes që të mos vendosim gurë pengese atje ku ka mjaftueshëm. “marrëzi për grekët;” le të mos shtojmë çmendurinë tonë në mënyrë që të mos përkrahim përçmimin me anë të të cilit i urti sipas botës e përqesh ungjillin. Sa xhelozë duhet të jemi për veten tonë! Sa të rreptë me ndërgjegjen tonë! Në praninë e kundërshtarëve që do të interpretonin keq veprat tona më të mira dhe do të vënë në dyshim motivet tona atëherë kur nuk mund të dënojnë veprimet tona, sa të kujdesshëm duhet të jemi! Shtegëtarët udhëtojnë si persona të dyshuar përmes panairit të kotësisë. Jo vetëm që jemi nën përgjim, por ka shumë më tepër spiunë se ç’mendojmë. Përgjimi është kudo, në shtëpi dhe jashtë. Nëse ne biem në duart e armikut, edhe ujku do të ishte më zemërgjerë dhe djalli më i mëshirshëm se sa do të tregonin durim me dobësitë tona njerëz që u shtojnë pabesive të tyre kundrejt Perëndisë, skandale kundër popullit të Tij. O Zot, na udhëhiq përherë në mënyrë që armiqtë tanë të mos na zënë në kundërthënie!
12 shtator-mëngjes
“Zoti është një Perëndi xheloz.”
{Nahum 1:2}
Zoti yt është shume xheloz për dashurinë tënde o besimtar. A është Ai që të zgjodhi ty? Ai nuk mund të durojë që ti të mund të zgjedhësh një tjetër. A të bleu me vetë gjakun e Tij? Ai nuk mund të durojë që ti të mendosh se i përket vetvetes, ose se ti i përket botës. Ai të deshi me një dashuri të tillë sa që Ai nuk do të donte të ishte në qiell pa ty; Ai do të parapëlqente të vdiste se sa ti të vdisje dhe Ai nuk mund të durojë që ndonjë gjë të qëndrojë mes dashurisë së zemrës tënde dhe Atij. Ai është shumë xheloz për besimin tënd. Ai nuk do të lejojë të besosh në një krah prej mishi. Ai nuk mund të durojë që ti të hapësh gropa që nuk mbajnë ujë, ndërkohë që burimi që gufon është përherë falas për ty. Kur ne mbështetemi mbi Të, Ai është i kënaqur, por kur ne varemi te ndonjë tjetër, mirëpo kur ne mbështetemi mbi urtësinë tonë, ose urtësinë e një shoku—dhe në rastin më të keq, kur ne besojmë në ndonjë nga veprat tona, Ai është i pakënaqur dhe do të na ndreqë që të na kthejë te Ai vetë. Ai është gjithashtu shumë xheloz për shoqërinë tonë. Nuk duhet të ketë ndonjë me të cilin bashkëbisedojmë më shumë se sa me Jezusin.
Të qëndrosh vetëm në Të, kjo është dashuri e vërtetë, por të kesh shoqërim me botën, të gjesh ngushëllim në mirëqëniet tona mishore, të preferosh edhe shoqërinë e të krishterëve se sa lidhjen me Të, kjo është shumë e pikëllueshme për Zotin tonë xheloz. Ai do të donte me gjithë zemër të qëndronim në Të dhe të gëzonim shoqërim të vazhdueshëm me Të dhe shumë prej sprovave që Ai na dërgon kanë për qëllim të ndajnë zemrat tona prej krijesës dhe t’i ngulisë më afër me Të. Le të jetë një ngushëllim për ne kjo xhelozi që do të na mbajë afër Krishtit, sepse nëse Ai na do aq shumë sa kujdeset kështu për dashurinë tonë, ne mund të jemi të sigurtë se Ai nuk do të lejonte asgjë për të na dëmtuar dhe do të na mbrojë prej të gjithë armiqve tanë. Oh që të mund të kemi hir këtë ditë për të mbajtur zemrat tona në një dlirësi të shenjtë vetëm për të Shumëdashurin tonë, me një xhelozi të shenjtë duke i mbyllur sytë ndaj të gjitha tërheqjeve të botës!
12 shtator-mbrëmje
“Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde.”
{Psalmi 101 :1}
Besimi triumfon mbi sprovën. Kur arsyeja hidhet në burg, me këmbët të mbërthyera në hekur, besimi i bën muret e qelisë të tingëllojnë me notat e tij të hareshme tek thërret, “unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde. Do të të këndoj ty o Zot. Besimi e heq maskën e zezë prej fytyrës së telashit dhe zbulon engjëllin mbrapa. Besimi shikon lart te reja dhe vë re se është plot me mëshirë dhe gati për të derdhur bekimet e saj mbi kokën e tij. Gjendet subjekt për këngë edhe në gjykimet e Perëndisë kundrejt nesh. Sepse, së pari, sprova nuk është aq e rëndë sa mund të kishte qenë; pastaj, telashi nuk është aq i rreptë sa do të kishim merituar; dhe dhembja jonë nuk është aq shtypëse sa barra që të tjerët kanë për të mbajtur.
Besimi shikon se në trishtimin e tij më të keq nuk ka asgjë dënuese; nuk ka as edhe një pikë të zemërimit të Perëndisë në të; e gjitha është e dërguar në dashuri. Besimi dallon dashurinë tek shkëlqen si një gur i çmuar në kraharorin e një Perëndie të zemëruar. Besimi thotë për dhembjen e tij, “kjo është një medalje nderi sepse fëmija duhet të ndjejë fshikullin;” dhe më pas ai këndon për rezultatin e ëmbël të trishtimeve të tij, sepse ato punojnë për të mirën e tij shpirtërore. Jo, madje më tepër, thotë Besimi, “trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie.” Kështu besimi kalëron mbi kalin e zi, duke mposhtur dhe për të mposhtur, duke shtypur arsyen njerëzore dhe kuptimin mishor dhe duke kënduar me nota të ngadhënjimit mes përleshjes më të ashpër.
Gjithçka që ndesh zbuloj se më ndihmon
Në udhën time drejt gëzimit qiellor :
Edhe pse sprova më presin tani,
Atje sprovat nuk mërzisin më kurrë
I bekuar atje me një peshë lavdie;
Udhën nuk do ta harroj kurrë,
Që mes haresë e lotëve më udhëhoqi
Te froni i Shpëtimtarit tim të bekuar.
13 shtator-mëngjes
“Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh dhe shiu i parë e mbulon me bekime.”
{Psalmi 84:6}
Kjo na mëson se ngushëllimi i njërit mund t’i shërbejë tjetrit; po ashtu si burimet që mund të përdoreshin nga brezat më pas. Ne lexojmë ndonjë libër plot me ngushëllim që është si bastuni i Xhonatanit, duke pikuar mjaltë. Ah! ne mendojmë vëllai ynë ka qenë atje para nesh dhe e gërmoi këtë pus për veten po ashtu si për ne. Shumë libra inkurajues kanë qenë një pus i gërmuar nga një shtegtar për veten e tij, por në të njëjtën kohë kanë qenë po aq të dobishëm për të tjerë. Veçanërisht ne e vëmë re këtë te Psalmet, si kjo fjali hyrëse, “pse ligështohesh shpirti im?” Udhëtarët kënaqen ndërsa shikojnë gjurmën e njeriut në një breg të parrahur dhe ne duam të shikojmë shenjat e shtegtarëve duke kaluar përmes luginës së lotëve.
Shtegtarët gërmuan pusin, por ama tejet e çuditshme, ai mbushet prej së larti në vend që të mbushet prej së poshtmi. Ne përdorim mjetet, por bekimi nuk vjen prej mjeteve. Ne gërmojmë një pus, por qielli e mbush atë me shi. Kali është i përgatitur në ditën e betejës, por fitorja vjen prej Zotit. Mjetet janë të lidhura me qëllimin, por ato nuk e prodhojnë dot atë prej vetvetes. Shiko këtu se shiu mbush vendet e gërmuara, kështu që puset bëhen të dobishme si rezervuar për ujin; puna nuk është e humbur, por prapëseprapë ajo nuk zëvendëson ndihmën hyjnore. Hiri mund të krahasohet mirë me shiun për pastërtinë e tij, për ndikimin e tij freskues dhe gjallërues, për ardhjen e tij vetëm prej lart dhe për sovranitetin me anë të cilit jepet ose mbahet. Paçin lexuesit tanë rrebesh bekimesh dhe puset që ata kanë hapur të mbushen me ujë! Oh, çfarë janë mjetet dhe urdhëresat pa buzëqeshjen e Zotit. Ato janë si re pa shi, si burime pa ujë. O Perëndi i dashurisë, hap dritaret e qiellit dhe na derdh një bekim!
13 shtator-mbrëmje
“Ky i pranon mëkatarët.”
{Lluka 15 :2}
Vini re begenisjen që ka këtu. Ky Njeri, që është lart çdo njeriu tjetër, i shenjtë, i parrezikshëm, i panjollosur dhe i ndarë prej mëkatarëve—ky Njeri i pranon mëkatarët. Ky Njeri, që nuk është tjetër përveçse Perëndia i përjetshëm, para së Cilit engjëjt mbulojnë me vel fytyrat e tyre—ky Njeri i pranon mëkatarët. Duhet gjuha e një engjëlli për të përshkruar një përulje të tillë dashurie. Nuk ka ndonjë gjë të mrekullueshme nëse ndonjëri prej nesh kërkon shpëtimin e të humburve—ata janë të vetë racës sonë, mirëpo që Ai, Perëndia i fyer, kundër të Cilit shkelja u krye, të mund të marrë formën e një shërbyesi dhe të mbajë mëkatin e shumë njerëzve dhe të dojë pastaj të pranojë më të poshtrin e të poshtërve, kjo është e mrekullueshme.
“Ky i pranon mëkatarët”; prapëseprapë jo që ata të qëndrojnë mëkatarë, por Ai i pranon që t’u falë mëkatet, t’i jusfikojë, të pastrojë zemrat e tyre me fjalën e Tij pastruese, të ruajë shpirtrat e tyre me anë të banimit përbrenda tyre të Frymës së Shenjtë dhe t’i bëjë të përshtatshëm për t’i shërbyer, të shpallin lavdinë e Tij dhe të kenë shoqërim me Të. Në dashurinë e zemrës së Tij, Ai i pranon mëkatarët, i nxjerr prej qelisë dhe i vendos si gurë të çmuar në kurorën e Tij; i merr ato si një urë zjarri e shkëputur nga zjarri dhe i ruan si monumente të shtrenjta të mëshirës së Tij. Askush nuk është aq i shtrenjtë në sytë e Jezusit sa mëkatarët për të cilët Ai vdiq. Kur Jezusi pranon mëkatarët, Ai nuk i pret jashtë në ndonjë vend pritje, as nuk ka ndonjë vend bamirësie ku mirëpret të varfrit që kalojnë aty, por Ai hap dyert e arta të zemrës së Tij mbretërore dhe pranon mëkatarin drejt e te personi i Tij; po, Ai pranon pendestarin e përulur në një bashkim personal dhe e bën atë gjymtyrë të trupit të Tij, të mishit të Tij, të kockave të Tij. Nuk kishte kurrë një pritje si kjo! Ky fakt është akoma tejet i sigurtë këtë mbrëmje, Ai po pranon akoma mëkatarë; i pëlqeftë Perëndisë që mëkatarët ta pranojnë!
14 shtator-mëngjes
“Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.”
{Marku 4 :36}
Jezusi ishte Zoti Admirali i lartë i detit atë natë dhe prania e Tij i ruajti të gjithë të tjerët. Është mirë të lundrosh me Jezusin, edhe po të lundroje në një lundër të vogël. Kur ne lundrojmë në shoqërimin e Krishtit, ne nuk mund të sigurohemi për mot të mirë, sepse stuhitë e mëdha mund të tundin varkën që mban vetë Zotin dhe ne nuk duhet të presim një det më pak të trazuar përreth varkës sonë të vogël. Nëse shkojmë me Jezusin duhet të jemi të kënaqur të udhëtojmë ashtu siç Ai udhëton; dhe kur dallgët janë të forta për Të, ato do të jenë të forta për ne. Është mes stuhive dhe lëkundjeve që ne do të zbresim në tokë, ashtu siç Ai bëri para nesh.
Kur stuhia kaploi në të ngrysur liqenin e Galilesë të gjitha çehret u nxinë dhe të gjitha zemrat i tuteshin mbytjes së varkës. Kur e gjithë ndihmesa e krijesës ishte e padobishme, Shpëtimtari që flinte u çua dhe me një fjalë, e transformoi trazirën e stuhisë në qetësinë e thellë të një bunace; atëherë lundrat e vogla ishin në pushim po ashtu si ajo që mbante Zotin. Jezusi është ylli i detit dhe edhe po të ketë trishtim mbi det, kur Jezusi është mbi të ka edhe gëzim. E bëfshin zemrat tona Jezusin spirancën e tyre, timonin e tyre, farin e tyre, barkën e shpëtimit të tyre dhe limanin e tyre. Kisha e Tij është flamuri i Admiralit, le të ndjekim me vëmendje lëvizjet e saj dhe t’i gëzojmë oficerët e saj me praninë tonë. Ai vetë është forca tërheqëse e madhe; le të ndjekim gjurmët e Tij, le të vëmë re sinjalet e Tij, le të drejtohemi nga harta detare e Tij dhe të mos kemi kurrë frikë kur Ai është afër. Asnjë anije nuk do të mbytet; Kapiteni i madh do të drejtojë çdo barkë të sigurtë drejt limanit të dëshiruar. Me anë të besimit ne do të lëshojmë litarin për një ditë tjetër lundrimi dhe për të lundruar me Jezusin në një det mundimesh. Erërat dhe dallgët nuk do të na kursejnë, por ato të gjitha i binden Atij dhe prandaj çfarëdo shtrëngate të ndodhë jashtë, besimi do të ndjeje një qetësi të bekuar përbrenda. Ai është përherë në qendrën e shoqërisë së besimtarëve të rrahur nga era; le të gëzohemi në Të. Barka e Tij ka arritur limanin dhe po ashtu edhe tonat do ta arrijnë.
14 shtator-mbrëmje
“Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë : “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit,” dhe Ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.”
{Psalmi 32 :5}
Dhembja e Davidit për shkak të mëkatit ishte e hidhur. Pasojat e tij ishin të dukshme në pamjen e tij të jashtme: “kockat e tij treteshin;” “fuqia e tij i përngjante thatësisë së verës.” Ai nuk gjeti shërim derisa bëri një rrëfim të plotë përpara fronit të hirit qiellor. Ai na thotë se për pak kohë heshti dhe zemra e tij u bë akoma më shumë e më shumë e mbushur me dhembje; ashtu si një liqen malor me grykëderdhje të bllokuar, shpirti i tij gëlltitej prej përrenjve të dëshpërimit. Ai formoi justifikime; u përpoq të largonte mendimet e tij, por më kot; ashtu si një ulçër e acaruar ankthi i tij rritej dhe përderisa nuk përdorte bisturinë e rrëfimit, fryma e tij ishte plot me vuajtje dhe nuk njihte paqe.
Më në fund ai arriti në këtë, që ai duhej të kthehej te Perëndia në një pendim të përulur, ose të vdiste menjëherë; kështu ai nxitoi te froni i mëshirës dhe atje shpalosi vëllimin e padrejtësive të tij përpara Shikuesit të gjithçkaje, duke pranuar me fjalë të gjithë të ligën e udhëve të tij ashtu si ju e lexoni në psalmin pesëdhjetë e një dhe psalme të tjerë ku shprehet pendimi i tij. Mbasi bëri këtë, një vepër kaq e thjeshtë kjo dhe prapëseprapë kaq e vështirë për krenarinë, ai fitoi menjëherë dëshminë e faljes hyjnore; kockat që qenë tretur u bënë të gëzoheshin dhe ai doli prej kthinës së tij për të kënduar bekueshmërinë e njeriut që i është falur shkelja. Shiko vlerën e rrëfimit të mëkatit që hiri jetësoi! Është për t’u çmuar mbi çdo gjë, sepse në çdo rast kur ka rrëfim të vërtetë të hirshëm, mëshira jepet falas, jo sepse pendimi dhe rrëfimi meritojnë mëshirë, por për hir të Krishtit. I bekuar qoftë Perëndia, ka gjithmonë shërim për zemrën e thyer; burimi po rrjedh përherë për të na pastruar prej mëkateve tona. Me të vërtetë o Zot, Ti je një Perëndi “i gatshëm që të falë!” Prandaj ne do të pranojmë padrejtësitë tona.
15 shtator-mëngjes
“Ai nuk do t’u trembet lajmeve të këqija.”
{Psalmi 112:7}
I krishterë, nuk ke pse të kesh frikë prej lajmeve të këqija, sepse nëse je i hidhëruar prej tyre atëherë çfarë bën ti më shumë se njerëzit e tjerë? Njerëzit e tjerë nuk kanë Perëndinë tënd ku të shkojnë; ata nuk e kanë provuar kurrë besnikërinë e Tij ashtu si ti dhe nuk është për t’u çuditur nëse ata përkulen me shqetësim dhe tremben me frikë, por ti rrëfen se je i një fryme tjetër; ti je rilindur për një shpresë të gjallë dhe zemra jote jeton në qiell dhe jo me gjëra tokësore; tani, nëse duket se trullosesh si njerëzit e tjerë, çfarë është vlera e atij hiri që ti rrëfen se ke marrë? Ku është dinjiteti i asaj natyre të re që ti rrëfen se e ke?
Po ashtu, nëse do të mbusheshe me shqetësim, si të tjerët, ti do të drejtoheshe, pa dyshim, te mëkatet kaq të zakonshme të të tjerëve nën rrethana sprovuese. Të papërshpirtshmit kur zihen në befasi prej lajmeve të këqija, rebelohen kundër Perëndisë; ata murmurisin dhe mendojnë se Perëndia i trajton ashpër. A do të biesh në të njëjtin mëkat? A do të provokosh Zotin ashtu si ata bëjnë? Për më tepër, njerëzit e pa kthyer në besim shpesh përdorin si ndihmë mënyra të gabuara me qëllim për të shpëtuar prej vështirësive dhe me siguri ti do të bësh të njëjtën gjë nëse mendja jote mposhtet prej presionit të tanishëm. Beso në Zotin dhe prit me durim për Të. Veprimi jot më i urtë është të bësh ashtu siç bëri Moisiu në Detin e Kuq, “qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Perëndia”, sepse nëse i lë shteg frikës ndërsa dëgjon për lajme të këqija, ti do të jesh i paaftë të përballosh telashin me atë qëndrim të qetë që të gatit për detyrën dhe të bën që qëndrueshëm nën rrethana armiqësie. Si mund të lavdërosh Perëndinë nëse sillesh si burracak? Shenjtorët kanë kënduar shpesh lavditë e larta të Perëndisë në mes të zjarrit, por a do ta madhëronin Shumëtëlartin dyshimet dhe zemërlëshimet e tua sikur të mos kishe asnjë për të të ndihmuar? Merr pra kurajë dhe duke u mbështetur në mirëbesim të sigurtë mbi besnikërinë e Perëndisë tënd besëlidhës, “zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”
15 shtator-mbrëmje
“Një popull i afërt për Të.”
{Psalmi 148:14}
Hirdhënia e besëlidhjes së vjetër kishte largësi në vetvete. Kur Perëndia iu shfaq shërbëtorit të Tij Moisiut, madje edhe Moisiut, Ai i tha, “Mos u afro këtu, hiq sandalet nga këmbët”; dhe kur Ai i shfaqi veten mbi Malin Sinai popullit të Tij të zgjedhur dhe të ndarë veçmas, njëri prej urdhërimeve të para ishte, “Ti do të përcaktosh rreth e qark malit kufij.” Në adhurimin e shenjtë të tabernakullit dhe të tempullit, mendimi i largësisë ishte përherë i spikatur. Turma e popullit as që nuk mund të hynte dot në oborrin e jashtëm. Në oborrin e brendshëm asnjë përveç priftërinjve nuk mund të hynte; ndërsa në vendin më të brendshëm, ose në vendin shumë të shenjtë, prifti i lartë hynte vetëm një herë në vit.
Kjo me qëllim sikur Zoti donte në ato kohëra të vjetra të mësonte njeriun se mëkati ishte kaq i urryeshëm për Të, sa Ai duhet ta trajtonte njeriun si lebrosët e nxjerrë jashtë kampit; dhe kur Ai erdhi më afër atyre, prapëseprapë Ai i bëri të ndjejnë gjerësinë e ndarjes midis Perëndisë të shenjtë dhe një mëkatari të papastër. Kur erdhi ungjilli, ne u vendosem mbi një themel tjetër. Fjala “shko” u shkëmbye me “eja;” largësia i la vendin afërsisë dhe ne që më përpara ishim larg, u afruam me anë të gjakut të Jezu Krishtit. Hyjnia e mishëruar nuk ka mure zjarri rreth Tij. “Ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe Unë do t`ju jap çlodhje,” është shpallja e gëzueshme e Perëndisë tek shfaqet në mishin njerëzor. Tanimë Ai nuk i mëson lebrosit se ka lepër duke e mbajtur atë larg, por duke vuajtur vetë ndëshkimin e papastërtisë. Çfarë gjendje sigurie dhe privilegji është afërsia me Perëndinë me anë të Jezusit! A e njihni këtë prej përjetimit? Nëse e dini këtë, a po jetoni në fuqinë e saj? E mrekullueshme është kjo afërsi, prapëseprapë ajo ka për t’u ndjekur prej një hirdhënie të një afërsie më të madhe akoma, kur do të thuhet, “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe Ai do të banojë me ta.” Përshpejtoje këtë O Zot.
16 shtator-mëngjes
“Pjesëtarë të natyrës hyjnore.”
{2 Pjetri 1:4}
Të jesh pjesëtar i natyrës hyjnore sigurisht nuk do të thotë të bëhesh Perëndi. Kjo nuk ka se si të jetë. Esenca e Hyjnisë nuk është për t’u ndarë me krijesën. Midis krijesës dhe Krijuesit duhet të ketë përherë një hon për sa i përket esencës, por po ashtu si njeriu i parë Adami u bë sipas imazhit të Perëndisë, po ashtu dhe ne, me anë të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, jemi bërë, në një kuptim akoma më hyjnor, sipas imazhit të Shumëtëlartit dhe jemi pjesëtarë të natyrës hyjnore. Ne jemi bërë si Perëndia me anë të hirit. “Perëndia është dashuri;” ne bëhemi dashuri—“kushdo që do, ka lindur nga Perëndia.” Perëndia është vërtetësi; ne bëhemi të vërtetë dhe duam atë që është e vërtetë; Perëndia është i mirë dhe Ai na bën të mirë me anë të hirit të Tij, kështu që ne bëhemi të pastërtit në zemër që do të shikojnë Perëndinë.
Më tepër akoma, ne bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore në një kuptim akoma më të lartë se ky—në fakt, në kuptimin më fisnik të mundur, përveç se ne nuk jemi tërësisht hyjnor. A nuk bëhemi ne gjymtyrët e trupit të personit hyjnor të Krishtit? Po, i njëjti gjak që rrjedh në kokë, rrjedh në dorë dhe e njëjta jetë që gjallëron Krishtin, gjallëron popullin e Tij, sepse “ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.” Jo, sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, ne jemi të martuar me Krishtin. Ai na ka fejuar me veten e Tij në drejtësi dhe besnikëri dhe ai që është i bashkuar me Zotin është i një fryme. Oh! mister i mahnitshëm!ne shikojmë aty brenda, por kush do ta kuptojë vallë? Një i vetëm me Jezusin—aq njësh me Të sa edhe dega me hardhinë, ne jemi pjesë e Zotit, Shpëtimtarit tonë dhe Shpenguesit tonë! Ndërsa ne gëzohemi në këtë gjë, le të kujtojmë se ata që janë bërë pjesëtarë të natyrës hyjnore do të shfaqin marrëdhënien e tyre të lartë dhe të shenjtë në veprimin e tyre me të tjerët dhe do ta bëjnë atë të qartë me anë të ecjes dhe sjelljes së tyre se i kanë shpëtuar korruptimit që është në botë me anë të epshit. Oh, le të kemi më tepër shenjtëri hyjnore në jetën tonë!
16 shtator-mbrëmje
“A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?”
{Jobi 7 :12}
Kjo ishte një pyetje e çuditshme për Jobin për t’ia drejtuar Zotit. Ai e ndjeu vetveten se ishte shumë i pavlerë për t’u ruajtur dhe ndrequr aq rreptësisht dhe ai shpresoi se nuk ishte dhe aq i panënshtruar sa të kishte nevojë për t’u përmbajtur. Pyetja ishte e natyrshme për dikë që ishte rrethuar me mjerime të tilla të padurueshme, por si do që të jetë, pyetja mund të meritojë një përgjigje shumë përulëse. Është e vërtetë se njeriu nuk është deti, por ai është akoma më i lodhshëm dhe më i pabindur.
Deti me bindje respekton kufijtë e tij dhe edhe sikur të ketë një rrip rëre përpara, ai nuk e tejkalon kufirin. I fuqishëm siç është, ai dëgjon “deri këtu-në” hyjnore; edhe atëherë kur është i tërbuar me stuhi ai respekton fjalën, por njeriu kokëfortë sfidon qiellin dhe shtyp tokën dhe nuk ka fund për tërbimin e tij rebel. Deti, duke iu bindur hënës, ka baticë dhe zbaticë me rregullsi të pareshtur dhe kështu bindet si aktivisht ashtu edhe pasivisht, por njeriu, nuk gjen prehje brenda caqeve të tij dhe përgjumet brenda caqeve të detyrës, i plogësht atje ku duhet të ishte veprues. Ai nuk do që të vijë dhe as që të shkojë mbasi ka marrë urdhrin hyjnor, por me zymtësi parapëlqen të bëjë çfarë nuk duhet të bëjë dhe të lërë të pabërë atë që i kërkohet. Çdo pikë në oqean, çdo shkumëzim prej rruaze dhe çdo hedhë shkume, çdo guaskë dhe guralec, e ndjejnë fuqinë e ligjit dhe tërhiqen ose lëvizin përpara menjëherë. Oh sikur natyra jonë të ishte të paktën sa e njëmijta po aq e bindur ndaj vullnetit të Perëndisë! Ne e quajmë detin të paqëndrueshëm dhe shtinjak, por në të vërtetë sa i qëndrueshëm që është ai! Që prej ditëve të etërve tanë dhe kohës së vjetër para tyre, deti është atje ku ishte, duke goditur të njëjtët shkëmbinj me të njëjtin ritëm; ne e dimë ku ta gjejmë, ai nuk e braktis shtratin e tij dhe nuk ndryshon në ushtimën e tij të pareshtur, por ku është njeriu—njeriu i kotë, i paqëndrueshëm? A mund ta gjejë dot njeriu i urtë se çfarë çmendurie e radhës do ta joshë duke e larguar nga bindja? Ne kemi nevojë për më tepër vrojtim se sa deti shkulmues dhe jemi shumë më tepër rebelë. Zot, na përmbaj për hir të vetë lavdisë Tënde. Amen.
17 shtator-mëngjes
“Ma sillni këtu!”
{Marku 9:19}
Me dëshpërim i gjori baba i zhgënjyer u tërhoq prej dishepujve drejt Zotit. Djali i tij ishte në gjendjen më të keqe të mundshme dhe të gjitha mjetet kishin dështuar, por fëmija i mjerë u çlirua shpejt prej së ligut kur prindi me besim iu bind fjalës së Zotit Jezus, ”Ma sillni këtu.” Fëmijët janë një dhuratë e çmuar prej Perëndisë, por shumë ankth vjen me to. Ata mund të jenë një gëzim i madh ose një hidhërim i madh për prindërit e tyre; ata mund të mbushen me Frymën e Perëndisë ose të pushtohen me frymën e të ligut. Në të gjitha rastet, Fjala e Perëndisë na jep një recetë për shërimin e të gjithë sëmundjeve të tyre, ”Ma sillni këtu.” Oh, më tepër lutje përgjëruese në emër të tyre ndërsa janë akoma në djep! Mëkati është atje, lutjet tona le të fillojnë ta sulmojnë atë.
Thirrmat tona për foshnjën tonë duhet të paraprijnë ato thirrma që paralajmërojnë mbërritjen e tyre të vërtetë në botën e mëkatit. Në ditët e rinisë së tyre ne do të shikojmë dëshmi të trishtueshme të asaj fryme memece dhe të shurdhët që as nuk do që të lutet ashtu siç duhet e as nuk do që të dëgjojë zërin e Perëndisë në shpirt, por Jezusi akoma urdhëron, ”Ma sillni këtu.” Kur janë të rritur ata mund të kridhen në mëkat dhe të shkumëzojnë me armiqësi kundër Perëndisë; atëherë kur zemrat tona nuk do të mund të mbanin më, ne duhet të kujtojmë fjalët e Mjekut të madh, ”Ma sillni këtu.” Kurrë nuk duhet të pushojmë të lutemi derisa ata të pushojnë të marrin frymë. Asnjë rast nuk është i pashpresë ndërsa Jezusi jeton. Zoti ndonjëherë lejon që njerëzit e Tij të gjenden deri në pikën e fundit që të mund të njohin me përjetim se sa i nevojshëm Ai është për ta. Fëmijët e papërshpirtshëm, na tregojnë pafuqishmërinë tonë kundrejt shthurjes së zemrave të tyre dhe na bëjnë që të shkojmë menjëherë tek i Forti për të gjetur forcë dhe ky është një bekim i madh për ne. Çfarëdo që të jetë nevoja jonë e mëngjesit, le të na çojë si një rrymë e fortë tek oqeani i dashurisë. Jezusi shpejt mund të fshijë trishtimin tonë, Ai kënaqet tek na ngushëllon. Le të nxitojmë te Ai ndërsa po pret që të na takojë.
17 shtator-mbrëmje
“Përforcoje.”
{Ligji i përtërirë 1 :38}
Perëndia e përdor popullin e Tij për t’i dhënë zemër njeri-tjetrit. Ai nuk i tha një engjëlli, “Gabriel, shërbëtori im Jozueu është gati të udhëheqë popullin Tim në Kanan—shko, jepi zemër.” Perëndia asnjë herë nuk kryen mrekulli të panevojshme; nëse qëllimet e Tij mund të përmbushen me mjetet e zakonshme, Ai nuk do të përdorë ndërhyrje të mrekullueshme. Gabrieli nuk do të kishte qenë as gjysmë i përshtatshëm për punën se sa Moisiu. Simpatia e një vëllai është më e çmueshme se sa misioni i një engjëlli. Engjëlli, i shkathët prej krahëve, pati njohur më mirë urdhrin e Mjeshtrit se sa karakterin e njerëzve. Një engjëll nuk pati përjetuar kurrë vështirësinë e udhës, as nuk pati parë gjarpërinjtë e zjarrtë, as nuk pati udhëhequr shumicën qafëfortë në shkretëtirë ashtu si Moisiu pati bërë.
Ne duhet të jemi të gëzuar që Perëndia zakonisht punon për njeriun me anë të njeriut. Ai formon një hallkë vëllazërie dhe duke qenë bashkërisht të varur nga njëri tjetri, ne jemi të modeluar më mirë në një familje. Vëllezër, merreni tekstin si mesazhi i Perëndisë për ju. Punoni shumë që të ndihmoni të tjerët dhe veçanërisht përpiquni t’i jepni kurajë atyre. I flisni me gaz të riut dhe kërkuesit të shqetësuar, duke u përpjekur me dashuri të hiqni gurë pengese prej rrugës së tij. Kur gjen një shkëndijë hiri në zemër, gjunjëzohu dhe fryj që të bëhet flakë. Lëre besimtarin e ri të zbulojë ashpërsinë e rrugës shkallë shkallë, por foli për forcën që banon në Perëndinë, për sigurinë e premtimit të Tij dhe për hiret e shoqërimit me Krishtin. Syno të ngushëllosh të pikëlluarin dhe të gjallërosh zemërlëshuarin. Foli një fjalë atëherë kur duhet atij që është i lodhur dhe jepi zemër atyre që kanë frikë të vazhdojnë rrugën me gëzim. Perëndia të jep zemër ty me anë të premtimeve të Tij; Krishti të jep zemër tek tregon parajsën që ka fituar për ty dhe Fryma të jep zemër tek vepron në ty në vullnetin tënd dhe për të bërë siç do dhe si i pëlqen. Imito urtësinë hyjnore dhe jepi zemër të tjerëve, sipas fjalës së kësaj mbrëmje.
18 shtator-mëngjes
“Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.”
{Galatasit 5 :25}
Dy gjërat më të rëndësishme në besimin tonë të shenjtë janë jeta në besim dhe ecja në besim. Ai që i kupton drejt këto nuk është larg për të qenë një mjeshtër në teologji përjetuese, sepse ato janë pika jetësore për një të krishterë. Ju nuk do të gjeni kurrë besim të vërtetë të pashoqëruar prej një përshpirtshmërie të vërtetë; nga ana tjetër, ju nuk do të zbuloni kurrë një jetë me të vërtetë të shenjtë e cila nuk ka për rrënjë të saj një besim të gjallë të varur mbi drejtësinë e Krishtit. Mjerë ata që kërkojnë njërën pa kërkuar edhe tjetrën! Ka disa që kultivojnë besimin dhe harrojnë shenjtërinë; këto mund të jenë shumë të lartë në ortodoksi, por do të jenë shumë të thellë në dënim, sepse e mbajnë të vërtetën në padrejtësi; dhe ka të tjerë që janë rropatur pas shenjtërisë së jetës, por kanë mohuar besimin, ashtu si farisenjtë më përpara, për të cilët Mjeshtri tha se ishin “varre të lyera me gëlqere.”
Ne duhet të kemi besim, sepse ky është themeli; ne duhet të kemi shenjtëri jete, sepse kjo është ndërtesa. Për çfarë do t’i shërbente thjesht themeli i një ndërtese një njeriu në ditën e stuhisë? A do ta fshihte dot veten aty brenda? Ai do një shtëpi për ta mbuluar, po ashtu si dhe një themel për atë shtëpi. Edhe ne po ashtu kemi nevojë për një ndërtesë jete shpirtërore nëse do të donim të kishim ngushëllim në ditën e dyshimit. Mirëpo mos kërkoni një jetë të shenjtë pa besimin, sepse kjo do të ishte njësoj sikur të ngrije një shtëpi që nuk mund të ofrojë strehë të përhershme, sepse nuk ka themel në shkëmb. Besimi dhe jeta le të vihen bashkë dhe ashtu si dy këmbë të një harku ure, ato do ta bëjnë përshpirtshmerinë tonë të qëndrueshme. Ashtu si drita dhe ngrohtësia rrjedhin prej së njëjtit diell, ato janë njësoj plot me bekime. Ashtu si dy shtyllat e tempullit, ato janë për lavdi dhe për bukuri. Ato janë dy lumenj prej burimit të hirit; dy llamba të ndezura me zjarr të shenjtë; dy pemë ullinjsh të ujitura nga përkujdesja qiellore. O Zot, na jep këtë ditë jetë përbrenda dhe ajo do ta shfaqë vetveten jashtë për lavdinë Tënde.
18 shtator-mbrëmje
“Ato më ndjekin.”
{Gjoni 10 :27}
Ne duhet të ndjekim Zotin tonë po aq pa hezituar sa delet e ndjekin bariun e tyre, sepse Ai ka të drejtë të na shpjerë kudo që i pëlqen. Ne nuk i përkasim vetes tonë, ne jemi blerë me një çmim—le të njohim të drejtat e gjakut shlyes. Ushtari ndjek kapitenin e tij, shërbëtori i bindet padronit të tij, aq më tepër ne duhet të ndjekim Shpenguesin tonë, për të cilin jemi një zotërim i blerë. Ne nuk jemi të sinqertë në rrëfimin tonë se jemi të krishterë, nëse vëmë në pikëpyetje urdhrin e Udhëheqësit dhe Komandantit tonë. Nënshtrimi është detyra jonë, murmuritjet janë çmenduria jonë. Shpesh Zoti mund të na thotë ashtu si Pjetrit, “Më ndiq.” Kudo që Jezusi na udhëheq, Ai shkon përpara nesh. Nëse nuk dimë se ku shkojmë, ne e dimë se me kë shkojmë. Me një mik të tillë, kush do të ketë frikë rreziqet e udhës? Udhëtimi mund të jetë i gjatë, por krahët e Tij të përjetshme do të na shpien deri në fund.
Prania e Jezusit është siguria e shpëtimit të përjetshëm, sepse Ai jeton, ne do të jetojmë gjithashtu. Ne duhet të ndjekim Krishtin me thjeshtësi dhe me besim, sepse shtigjet ku Ai na udhëheq përfundojnë të gjitha në lavdi dhe pavdekësi. Është e vërtetë se ato mund të jenë shtigje jo të lehta—ato mund të jenë të mbuluara me sprova të vështira, por ato shpien në “qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.” “Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e Tij.” Le të vendosim një besim të plotë në Udhëheqësin tonë, përderisa e dimë se, le të vijë mirëqenia ose armiqësia, sëmundja ose shëndeti, popullariteti ose përçmimi, qëllimi i Tij do të zbatohet dhe ai qëllim do të jetë i pastër, i mirë e i papërzier për çdo trashëgimtar të mëshirës. Ne do të na duket e ëmbël të ngjisim anën e zhveshur të kodrës me Krishtin; dhe kur shiu dhe bora fryjnë mbi fytyrat tona, dashuria e Tij e shtrenjtë do të na bëjë më fatlum se ata që ulen në shtëpi dhe ngrohin duart e tyre në zjarrin e botës. Në majë të Amanas, në strofullën e luanëve ose në kodrën e leopardëve, ne do të ndjekim të Shumëdashurin tonë. Jezus i vyer, na tërhiq dhe ne do të vrapojmë mbas teje.
19 shtator-mëngjes
“Në lirinë, me të cilën Krishti na liroi”
{Galatasit 5:1}
Kjo “liri” na bën të lirë për kushtetutën e qiellit—Bibla. Këtu është një varg i përzgjedhur, besimtar, “Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty.” Je i lirë për këtë. Ja një tjetër: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje.” ; je i lirë për këtë. Ti je një i ftuar i mirëpritur në tryezën e premtimeve. Shkrimi është një thesar që nuk zhgënjen kurrë, i mbushur me furnizime të pafundme hiri. Është banka e parajsës; ju mund të tërhiqni prej saj sa të doni, pa pengim ose pengesë. Ejani me besim dhe jeni të mirëpritur për të gjithë bekimet e besëlidhjes. Nuk ka as dhe një premtim në Fjalën që ka për t’u kursyer.
Në thellësitë e mundimeve kjo liri le të të ngushëllojë; midis dallgëve të dëshpërimit le të të gëzojë; kur trishtimet të rrethojnë le të jetë lehtësimi jot. Kjo është dëshmia e dashurisë e Atit tënd; ju jeni të lirë për të në të gjitha kohërat. Ti je gjithashtu i lirë në lidhje me fronin e hirit. Është privilegji i besimtarit të ketë hyrje në çdo kohë tek Ati i tij qiellor. Çfarëdo qofshin dëshirat tona, vështirësitë tona, nevojat tona, ne jemi të lirë t’i paraqesim të gjitha përpara Tij. Nuk ka rëndësi se sa kemi mëkatuar, ne mund të kërkojmë dhe të presim falje. Nuk ka rëndësi se sa të varfër jemi, ne mund të ndërmjetësojmë me premtimin e Tij se Ai do të japë të gjitha gjërat e nevojshme. Ne kemi lejen t’i afrohemi fronit të Tij në të gjitha kohërat—në orën e mesnatës më të errët, në vapën më të nxehtë të mesditës. Ushtro të drejtën tënde, o besimtar dhe gëzo privilegjin tënd. Ti je i lirë për gjithçka që fshihet si thesar në Krishtin—urtësia, drejtësia, shenjtërimi dhe shpëtimi. Nuk ka rëndësi çfarë është nevoja jote, sepse ka plotësi përmbushjeje në Krisht dhe kjo është atje për ty. O çfarë “lirie” që është liria jote! liri prej dënimit, liri për premtimet, liri për fronin e hirit dhe së fundmi liri për të hyrë në parajsë.
19 shtator-mbrëmje
“Jam lutur për të pasur këtë djalë.”
{1 Samueli 1:27}
Shpirtrat e përkushtuar kënaqen të shikojnë tek ato mëshirat që kanë marrë si përgjigje të përgjërimeve të tyre, sepse në to mund të shikojnë dashurinë e veçantë të Perëndisë. Kur ne mund t’i quajmë bekimet tona Samuel, që do të thotë, “kërkuar Perëndisë,” ato do të jenë po aq të shtrenjtë për ne sa fëmija ishte për Anën. Penina kishte shumë fëmijë, por ata erdhën si bekime të zakonshme të pa kërkuara në lutje; fëmija i vetëm i Anës i dhënë prej qiellit ishte shumë më i shtrenjtë, sepse ai ishte fryti i përgjërimeve këmbëngulëse. Sa i ëmbël ishte ai ujë për Sansonin që gjeti në “pusin e atij që u lut!” Kupat e Kasias kthejnë të gjitha ujërat të hidhura, por kupa e lutjes i kthen në ëmbëlsi. A u lutëm për kthimin në besim të fëmijëve tanë? Sa dyfish e ëmbël, kur ata janë të shpëtuar, të shikosh në to kërkesat tona të përmbushura! Më mirë të gëzohesh për ta si fryti i përgjërimeve tona se sa si fryti i trupave tona. A kemi kërkuar prej Zotit ndonjë dhunti shpirtërore të zgjedhur?
Kur të vijë te ne, do të jetë e mbështjellë në rrobën e artë të vërtetësisë dhe besnikërisë së Perëndisë dhe kështu që është dyfish e çmuar. A kemi kërkuar për sukses në veprën e Zotit? Sa e gëzueshme është kur mbarësia vjen duke fluturuar mbi krahët e lutjes! Është gjithmonë më mirë të marrim bekime në shtëpinë tonë në një mënyrë legjitime, me anë të portës së lutjes; atëherë ato janë bekime me të vërtetë dhe jo tundime. Edhe kur lutja jonë nuk përmbushet menjëherë, bekimi pasurohet akoma më shumë gjatë pritjes; fëmija Jezus ishte shumë më i dashur në sytë e Marisë kur ajo e gjeti pasi e kishte kërkuar e pikëlluar. Atë që ne e fitojmë me lutje duhet t’ia kushtojmë Perëndisë, ashtu si Ana përkushtoi Samuelin. Dhurata erdhi prej qiellit, le të kthehet në qiell. Lutja e solli, mirënjohja këndoi për të dhe devocioni le t’ia kushtojë Zotit. Këtu do të ketë një rast të veçantë për të thënë, “ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.” Lexues a është lutja jote diçka e natyrshme apo është një lodhje për ty? Cila nga këto?
20 shtator-mëngjes
“Shpata e Zotit dhe e Gedeonit.”
{Gjyqtarët 7:20}
Gedeoni i urdhëroi njerëzit e tij të bënin dy gjëra; të fshihnin një pishtar në një shtambë prej balte; ai i dha urdhër, me një sinjal të caktuar, të thyenin shtambën dhe të linin pishtarin të ndriçonte dhe më pas i ra trumbetës, duke thirrur, “Shpata e Zotit dhe e Gedeonit! shpata e Zotit dhe e Gedeonit!” Kjo është saktësisht atë që të krishterët duhet të bëjnë. Së pari, ju duhet të ndriçoni; thyeni shtambën që fsheh dritën tuaj; hidhni mënjanë atë që ka fshehur deri tani qiririn tuaj dhe shkëlqeni. Le të shkëlqejë drita juaj përpara njerëzve; le të jenë veprat tuaja të mira të tilla që kur njerëzit t’ju shikojnë, do të njohin se keni qenë me Jezusin. Më pas duhet të jetë kumbimi, tingulli i trumbetës. Duhet të ketë përpjekje aktive për t’i shpallur mëkatarëve Krishtin e kryqëzuar. Shpjerjani atyre ungjillin; çojani në derën e tyre; vëreni në shtegun e tyre; mos lejoni që ata t’i shpëtojnë; fryni trumbetën afër veshëve të tyre.
Kujtoni se thirrja e luftës e vërtetë e Kishës është parulla e Gedeonit, “Shpata e Zotit dhe e Gedeonit!” Zoti duhet ta bëjë atë, është vetë vepra e Tij, por ne nuk duhet të jemi përtacë; mjeti është për t’u përdorur—”Shpata e Zotit dhe e Gedeonit”. Nëse ne thërrasim veçse, “Shpata e Zotit” ne do të jemi fajtor për një mburrje të kotë dhe nëse bërtasim vetëm, “Shpata e Gedeonit!”, ne do të nxjerrim në pah një mbështetje prej idhujtari në një krah prej mishi; ne duhet t’i bashkojmë të dy në një harmoni praktike, “Shpata e Zotit dhe e Gedeonit!” Ne nuk mund të bëjmë asgjë prej vetvetes, por ne mund të bëjmë gjithçka me ndihmën e Perëndisë; prandaj le të vendosim të dalim vetë jashtë dhe të shërbejmë me pishtarin e zjarrtë të shembullit të shenjtë dhe me tonet e trumbetës së shpalljes dhe dëshmisë së zellshme, Perëndia do të jetë me ne, Madiani do të hutohet dhe Zoti i Ushtrive do të mbretërojë përherë e përherë.
20 shtator-mbrëmje
“Në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë.”
{Predikuesi 11 :6}
Në mbrëmje rastet janë të shumta; njerëzit kthehen nga puna e tyre dhe fituesi i zellshëm i shpirtrave gjen kohë të tregojë dashurinë e Jezusit. A punoj në mbrëmje për Jezusin? Nëse jo, le të mos ta kursej më dorën më gjatë në një shërbim që kërkon punë të bollshme. Mëkatarët po vdesin prej mungesës së njohurisë; ai që vonohet mund të zbulojë rrobat e tij flakë me gjakun e shpirtrave. Jezusi ua dha gozhdëve të dy duart e Tij, si mund të kursej një nga duart e mia në veprën e Tij të bekuar? Natë dhe ditë Ai punoi shumë dhe u lut për mua, si mund t’i kushtoj një orë të vetme kënaqësisë së mishit tim me nge rehatie? Ngrihu, zemër përtace; shtri dorën tënde për të punuar, ose ngrije atë për t’u lutur; qielli dhe ferri janë duke punuar pa reshtur, le të jem edhe unë kështu dhe këtë mbrëmje të mbjell farë të mirë për Zotin Perëndinë tim.
Mbrëmja e jetës ka gjithashtu thirrjet e saj. Jeta është aq e shkurtër sa mëngjesi i fuqisë së njeriut dhe mbrëmja e plakjes. Disave u duket e gjatë, por pesë qindarka është një shumë e madhe për një njeri të varfër. Jeta është kaq e shkurtër sa askujt nuk i lejohet të humbë një ditë. Mirë është thënë se nëse një mbret i madh do të mund të na sillte një grumbull të madh me ar dhe të na lejonte të merrnim aq sa do të kishim mundësi të numëronim në një ditë, ne do kalonim gjithë ditën duke numëruar; ne do të fillonim herët në mëngjes dhe në mbrëmje nuk do të çlodheshim, mirëpo të fitosh shpirtra është punë shumë më fisnike, si bëhet vallë që ne shpejt tërhiqemi prej saj? Disa kursehen duke pasur një pleqëri të mbarë; nëse i tillë është rasti im, le të përdor të tillë talente siç i kam akoma dhe në orën e fundit t’i shërbej Zotit tim besnik dhe të bekuar. Me anë të hirit të Tij do të vdes në krye të detyrës dhe do të lëshoj barrën time vetëm atëherë kur të dorëzoj trupin tim. Koha mund të mësojë të riun, të gëzojë të dobëtin dhe t’i japë zemër të dëshpëruarit; nëse muzgu i jetës ka më pak pasion, ai do të ketë më shumë urtësi të qetë, prandaj në mbrëmje nuk do ta lë dorën time të pushojë.
21 shtator-mëngjes
“Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë”
{Jeremia 32:41}
Sa gëzimprurëse është për besimtarin kënaqësia që Perëndia ka në shenjtorët e Tij! Ne nuk mund të shikojmë ndonjë arsye në veten tonë pse Zoti duhet të gjente kënaqësi te ne; ne nuk mund të gjejmë kënaqësi në veten tonë, sepse shpesh ne psherëtijmë, duke qenë të ngarkuar, të ndërgjegjshëm për mëkatin tonë dhe duke vajtuar mosbesnikërinë tonë; dhe ne druajmë se mos populli i Perëndisë nuk kënaqet dhe aq me ne, sepse ata vërejnë kaq tepër nga papërkryerjet dhe çmenduritë tona, aq sa më shumë do të vajtonin për dobësitë tona se sa të admironin hiret tona. Mirëpo ne duam të qëndrojmë mbi këtë të vërtetë të përtejme, këtë mister të lavdishëm, se ashtu si dhëndri gëzohet me nusen e tij, po ashtu Perëndia gëzohet me ne.
Ne nuk lexojmë kurrkund se Zoti gjen gëzim në malet e mbuluara me re ose në yjet shndritës, por lexojmë përkundrazi se Ai gjen gëzim në pjesët e banuara të tokës dhe se gëzimet e Tij janë me bijtë e njerëzve. Ne nuk gjejmë të shkruar madje se edhe engjëjt i japin gëzim shpirtit të Tij; po ashtu Ai nuk thotë, në lidhje me kerubinin dhe serafinin, “Do të të quajnë Hefzibah, “Kënaqësia ime është tek ajo”, sepse Zoti gëzohet në ty;”por Ai i thotë të gjithë këtë krijesave të rëna të gjora si ne, të poshtëruara dhe të fëlliqura nga mëkati, por të shpëtuar, të madhëruar dhe të lavdëruar prej hirit të Tij. Oh me çfarë gjuhe të fortë Ai shpreh gëzimin e Tij në popullin e Tij! Akoma është e shkruar, “Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.” Teksa pa mbi botën që Ai bëri, Ai tha, “Është shumë mirë”; por kur pa ata që janë të blerë prej gjakut të Jezusit, vetë të zgjedhurit e Tij, duket sikur zemra e madhe e të Pafundmit nuk mund të përmbahej më, por gufoi në klithma gëzimi hyjnore. A nuk duhet ne të shprehim përgjigjen tonë mirënjohëse ndaj një deklarate të tillë të mrekullueshme dashurie dhe të këndojmë, ”Do të gëzohem në Zotin, do të gëzohem në Perëndinë e shpëtimit tim?”
21 shtator-mbrëmje
“Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve.”
{Psalmi 26 :9}
Frika e bëri Davidin të lutej kështu, sepse diçka i pëshpëriti, “ndoshta, në fund fare, shpirti jot mund të vihet bashkë me atë të mëkatarëve.”Ajo frikë edhe pse e përzier me mosbesim, rrjedh kryesisht prej një ankthi të shenjtë, duke u ngritur prej kujtimit të mëkatit të së kaluarës. Edhe njeriu i falur do të shqyrtojë për veten, “po sikur në fund mëkatet e mia të kujtoheshin dhe të lihesha jashtë listës së të shpëtuarve?”Ai sjell ndërmend shterpësinë e tij të tanishme—kaq pak hir, kaq pak dashuri, kaq pak shenjtëri dhe duke vështruar në të ardhmen, ai merr në konsideratë dobësinë e tij dhe tundimet e shumta që e mundojnë, ka frikë se mund të bjerë dhe të bëhet një pre për armikun. Një ndijim mëkati dhe ligësie të tanishme dhe korruptimet e tij mbizotëruese, e shtrëngojnë që të lutet, me frikë dhe me dridhmë, “Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve.”
Lexues nëse ke bërë këtë lutje dhe nëse karakteri yt është i përshkruar saktësisht në Psalmin prej të cilit është marrë, nuk ke pse të kesh frikë se mund të vihesh bashkë me mëkatarët. A nuk ke vallë dy virtytet që Davidi pati—ecjen e jashtme në ndershmëri dhe besimin e brendshëm në Zotin? A po qëndron në sakrificën e Krishtit dhe a mund t’i afrohesh altarit të Perëndisë me një shpresë të përulur? Nëse është kështu, mos ki frikë, nuk do të vihesh kurrë bashkë me mëkatarët, sepse ajo gjëmë është e pamundur. Vënia bashkë në ditën e gjykimit është sipas llojit. “Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim.” Atëherë pra, nëse ti je si populli i Perëndisë, ti do të jesh me popullin e Perëndisë. Nuk mund të vihesh bashkë me të ligun, sepse ti je blerë shumë shtrenjtë. I shlyer prej gjakut të Krishtit, ti i përket Atij përherë dhe atje ku Ai është, atje duhet të jetë populli i Tij. Ti nuk mund të flakesh jashtë me të nëmurit sepse Perëndia të do pa masë. A do të vdiste një nga të shtrenjtët e Krishtit? E pamundur! Ferri nuk mund të të mbajë dot! Parajsa të kërkon! Beso në këtë siguri dhe mos ki frikë!
22 shtator-mëngjes
“Le të ngazëllohet Izraeli tek Ai që e ka bërë.”
{Psalmi 149 :2}
Ngazëllehu o besimtar, por ki kujdes që hareja jote të ketë burimin në Zotin. Ti ke shumë shkak për hare në Perëndinë tënd, sepse ti mund të këndosh me Davidin, “Zoti, gëzimi dhe kënaqësia ime.” Ngazëllehu, sepse Zoti mbretëron, se Jehovai është mbret! Gëzohu se Ai ulet mbi fron dhe sundon të gjitha gjërat! Çdo atribut i Perëndisë duhet të bëhet një rreze freskuese në dritën e ngazëllimit tonë. Duke njohur me të vërtetë çmendurinë tonë duhet të na bëjë të hareshëm se Ai është i urtë. Ne që dridhemi në dobësinë tonë, duhet të na bëjë të gëzohemi se Ai është i fuqishëm. Ndërsa e dimë se vyshkemi si bari duhet të jetë gjithmonë një temë gëzimi për ne, se Ai është i përjetshëm. Përderisa ne ndryshojmë çdo orë duhet të na bëjë të këndojmë, se Ai është i pandryshueshëm.
Për shkak se Ai është plot me hir, se Ai e jep me bollëk dhe se këtë hir në besëlidhje na e ka dhënë ne, se është i yni për të na pastruar, i yni për të na mbajtur, i yni për të na shenjtëruar, i yni për të na përkryer, i yni për të na sjellë në lavdi—të gjitha këto duhet të na prijnë të gëzohemi në Të. Kjo hare në Perëndinë është si një lum i thellë; ne sapo kemi prekur bregun e tij dhe njohim pak rrymën e tij të ëmbël e të kthjellët qiellore, por duke përparuar thellësia është më e madhe dhe rryma më e fuqishme në gëzimin e saj. I krishteri e ndjen se mund të kënaqet jo vetëm në atë që Perëndia është, por gjithashtu në gjithçka që Perëndia ka bërë në të kaluarën. Psalmet na tregojnë se në kohët e vjetra populli i Perëndisë ishte mësuar të vërente me kujdes veprat e Perëndisë dhe të kishte një këngë për secilin prej tij. Kështu pra, populli i Perëndisë le të tregojë veprat e Zotit! Le të flasin për veprat e Tij të fuqishme dhe le “t’i këndojnë Zotit, sepse u lartësua shumë.” As mos i lejoni që të pushojnë së kënduari, sepse ndërsa hire të reja derdhen për ta ditë për ditë, po ashtu hareja e tyre duhet ta shfaqë veten me falënderim të vazhdueshëm për shkak të veprave të dashura të Zotit në providencë dhe në hir. Jini të gëzuar ju fëmijë të Sionit dhe gëzohuni në Zotin Perëndinë tuaj.
22 shtator-mbrëmje
“Ndërsa zemra ime po shkrihet, më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë.”
{Psalmi 61 :2}
Shumë nga ne e dinë çfarë është të jesh i pikëlluar në zemër; të zbrazur ashtu si kur një njeri fshin një pjatë dhe e kthen përmbys; i përmbytur ashtu si një anije e kthyer përmbys nga stuhia. Zbulimi i korruptimit të brendshëm do ta bëjë këtë gjë, nëse Zoti lejon thellësinë e madhe të fëlliqësisë sonë të trazohet dhe të hedhë lart baltë dhe pisllëk. Zhgënjimet dhe zemërdëshpërimet do të bëjnë këtë kur shkulme të njëpasnjëshme vijnë mbi ne dhe ne jemi si një guaskë e thyer e flakur para e mbrapa prej tallazit. I bekuar qoftë Perëndia, në periudha të tilla ne nuk jemi pa një mbështetje të gjithëmjaftueshme, Perëndia ynë është limani i velave të rrahura me motin, bujtina e shtegtarëve të lodhur. Ai është më i lartë se ne, mëshira e Tij më e lartë se mëkatet tona, dashuria e Tij më e lartë se mendimet tona. Është për të ardhur keq të shikosh njerëz që vendosin besimin e tyre në diçka më të ulët se vetvetja, por mirëbesimi ynë është i vendosur mbi një Zot shumë më tepër të lartë dhe të lavdishëm.
Ai është një Shkëmb përderisa Ai nuk ndryshon dhe një Shkëmb i lartë, sepse stuhitë dergjen larg poshtë këmbëve të Tij ndërkohë që me siguri ne do të na mbulonin; Ai nuk është i shqetësuar prej tyre, por i sundon sipas vullnetit të Tij. Nëse shkojmë në strehën e këtij Shkëmbi të lartë ne mund të sfidojmë uraganin; çdo gjë është e qetë nën shtrojerën e atij shkëmbi shumë të lartë. Sa keq! aq i madh është pështjellimi ku kridhet shpesh mendja e trazuar sa kemi nevojë të drejtohemi tek kjo strehë hyjnore. Prandaj dhe kjo lutje e tekstit. O Zot, Perëndia ynë, me anë të Frymës Tënde të Shenjtë, na mëso udhën e besimit, na udhëhiq në prehjen Tënde. Era na hedh jashtë në det, timoni nuk i përgjigjet dorës sonë të vocërr; Ti, Ti vetëm mund të na drejtosh në ranishte larg prej shkëmbinjve nënujore, të sigurtë në limanin e duhur. Sa të varur jemi nga Ty—ne kemi nevojë për Ty që të na sjellësh tek Ti. Të jesh i drejtuar urtësisht dhe i drejtuar në siguri dhe paqe është dhurata jote dhe e jotja vetëm. Lutem që këtë mbrëmje të kënaqesh ndërsa i trajton mirë shërbëtorët e Tu.
23 shtator-mëngjes
“Të pranuar në të dashurin Birin e Tij.”
{Efezianët 1:6}
Çfarë gjendjeje privilegji! Ajo përmban justifikimin tonë përpara Perëndisë, por fjala pranim në greqisht do të thotë më shumë se kaq. Ajo do të thotë se ne jemi objektet e kënaqësisë së Tij hyjnore dhe madje të ëndjes së Tij hyjnore. Sa e mrekullueshme që ne, krimba, të vdekshëm, mëkatarë, të mund të jemi objektet e dashurisë hyjnore! Mirëpo kjo është vetëm në “të dashurin Birin e Tij.” Disa të krishterë duken se vetëpranohen në përjetimin e tyre, së paku, ky është i kuptuari i tyre. Kur fryma e tyre është e gjallë dhe shpresat e tyre janë të shndritshme, ata mendojnë se Perëndia i pranon, sepse ata ndihen kaq lart, kaq frymërorë, kaq të ngritur mbi botën! Mirëpo kur shpirtrat e tyre ngjiten në pluhur, ata bien pre e frikës se mos nuk janë më të pranuar.
Nëse do të kuptonin se nën shikimin e Atit të tyre as gëzimet e tyre të mëdha nuk i ngrenë dot lart dhe as dëshpërimet e tyre nuk i ndrydhin shpirtërisht, por se qëndrojnë të pranuar në Dikë që nuk ndryshon kurrë, në Dikë që është gjithmonë i Shumëdashuri i Perëndisë, gjithmonë i përkryer, gjithmonë pa njollë ose rrudhë, ose ndonjë gjë të ngjashme, ata do të ishin ku e ku më të lumtur dhe ku e ku më tepër ata do të nderonin Shpëtimtarin! Gëzohu atëherë, besimtar, në këtë gjë; ti je i pranuar në “të dashurin Birin e Tij.” Ti shikon përbrenda dhe thua, “Nuk ka asgjë të pranueshme këtu!” Mirëpo shiko te Krishti dhe do të gjesh aty se çdo gjë është e pranueshme. Mëkatet e tua të turbullojnë, por Zoti i ka hedhur mëkatet e tua mbrapa kurrizit të Tij dhe ti je i pranuar në të Drejtin. Ti duhet të luftosh me korruptimin dhe të përballesh me tundimin, por ti je tashmë i pranuar në Atë që ka mposhtur fuqitë e së ligës. Djalli të tundon; gëzohu, ai nuk mund të të shkatërrojë, sepse ti je i pranuar në Atë që ka shtypur kokën e satanit. Njih me siguri të plotë pozicionin tënd të lavdishëm. Edhe shpirtrat e lavdëruar nuk janë më tepër të pranuar se sa je ti. Ata janë të pranuar në parajsë në “të dashurin Birin e Tij,” ndërsa ti je madje edhe tani i pranuar në Krishtin në të njëjtën mënyrë.
23 shtator-mbrëmje
“Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh.”
{Marku 9:23}
Një njeri kishte një bir të pushtuar nga djalli, që torturohej nga një frymë e shtemët. I ati, duke parë padobishmërinë e përpjekjeve të dishepujve për të shëruar fëmijën, kishte pak ose jo besim në Krishtin dhe prandaj, kur iu tha të sillte birin e tij te Ai, i tha Jezusit, ”Nëse ti mundesh dhe të vjen keq për ne ndihmona.” Tani, kishte një “nëse” në kërkesën e tij, por i varfëri baba që dridhej kishte vënë një “nëse” në vendin e gabuar, prandaj dhe Jezus Krishti, pa e urdhëruar atë të kthente mbrapsht “nëse-n”, me dashamirësi e vendos atë në pozicionin e saj të duhur. Ai duket sikur thotë, “jo, në të vërtetë nuk duhet të ketë asnjë “nëse”në lidhje me fuqinë Time, as në lidhje me vullnetin Tim; fjala “nëse” qëndron diku tjetër.” “Nëse mund të besosh, të gjitha gjërat janë të mundshme për atë që beson.”
Besimi i atij njeriu u forcua, ai ofroi një lutje të përulur për rritje besimi dhe në çast Jezusi shqiptoi fjalën dhe djalli u flak jashtë i urdhëruar që të mos kthehej më kurrë. Ne kemi nevojë të nxjerrim një mësim këtu. Ne, ashtu si ai njeri, shpesh shikojmë se ka një “nëse” diku, por përherë bëjmë proçka duke e vendosur në vendin e gabuar. ”Nëse” Jezusi mund të më ndihmojë—“nëse” Ai mund të më japë hir të mposht tundimin—“nëse”Ai mund të më falë—“nëse”Ai mund të më bëjë të suksesshëm? Jo, ”nëse”ti mund të besosh, Ai mund dhe do. Ti e ke keqvendosur “nëse-n” tënde. Nëse ti mund të besosh me mirëbesim, se të gjitha gjërat janë të mundura për Krishtin, atëherë të gjitha gjërat do të jenë të mundura për ty. Besimi qëndron në fuqinë e Perëndisë dhe është i veshur në madhështinë e Perëndisë; ai mban veshur petkat mbretërore dhe kalëron me kalin e Mbretit, sepse besimi është hiri që Mbreti ka ëndje të nderojë. Duke e ngjeshur veten me fuqinë e lavdishme të Frymës gjithëveprues, ai kthehet përmes plotfuqishmërisë së Perëndisë, i fuqishëm për të vepruar, për të guxuar, për të vuajtur. Të gjitha gjërat, pa kufi, janë të mundura për atë që beson. Shpirti im, a mund t’i besosh Zotin tënd sonte?
24 shtator-mëngjes
“Në fakt unë kisha turp t’i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit:”Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin”.
{Ezra 8:22}
Në shumë pikëpamje, një trupë shoqëruese do të kishte qenë e dëshirueshme për varganin shtegtues, por sedra e shenjtë nuk do ta lejonte Ezrën të kërkonte një gjë të tillë. Ai kishte frikë se mos mbreti pagan e shikonte rrëfimin e besimit të tij në Perëndinë si një hipokrizi të pastër, ose se mos e përfytyronte Perëndinë e Izraelit si të pazotë për të ruajtur vetë adhuruesit e Tij. Ai as që e mendonte që të mbështetej mbi një krah mishi në një çështje kaq qartësisht të Zotit dhe prandaj karvani u nis pa asnjë mbrojtje të dukshme, i ruajtur prej Atij që është shpata dhe mburoja e popullit të Tij. Është për t’u druajtur se pak besimtarë e ndjejnë këtë xhelozi të shenjtë për Perëndinë; madje edhe ata që në një farë shkalle ecin me anë të besimit, herë pas here e njollosin shkëlqimin e jetës së tyre duke lypur ndihmë prej njeriut.
Është një gjë tepër e bekuar të mos kesh as përkrahje dhe as mbështetje, por të qëndrosh drejt mbi Shkëmbin e kohërave, i mbështetur vetëm prej Zotit. A do të kërkonte ndonjë besimtar përkrahje financiare prej shtetit për kishën e tij, nëse do të shihte se Zoti do të ç’nderohej prej kërkesës për të pasur ndihmën e Cezarit? Sikur Zoti nuk do të mund të plotësonte dot nevojat e vetë çështjes së Tij! A do të rendnim me kaq nxitim për ndihmë te miqtë dhe te të afërmit, nëse do të sillnim ndërmend se Zoti është i madhëruar nga mbështetja jonë e plotë veçse mbi krahun e Tij? Shpirti im, shpreso vetëm te Perëndia. ”Mirëpo”thotë dikush, ”a nuk duhet të përdoren mjete?” Patjetër që po, por e meta jonë rrallë qëndron te lënia pas dore e tyre; në fakt qëndron shumë më shpesh në besimin e çmendur te to në vend të besimit te Perëndia. Disa shkojnë shumë larg në lënien pas dore të ndihmës së krijesës, por ama shumë mëkatojnë jashtë mase duke i kushtuar shumë rëndësi. Mëso, lexues i dashur, të lavdërosh Zotin duke mos i përdorur mjetet, nëse duke i përdorur, ti do të ç’nderoje emrin e Zotit.
24 shtator-mbrëmje
“Unë flija, por zemra ime përgjonte.”
{Kantiku 5 :2}
Paradokset janë me bollëk në përjetimin e të krishterit dhe këtu është një prej tyre—nusja flinte dhe prapëseprapë ajo përgjonte. Vetëm ai që ka pluguar me mëshqerrën e përjetimit të tij mund ta kuptojë misterin e besimtarit. Dy pikat në tekstin e kësaj mbrëmjeje janë—një përgjumje për të ardhur keq dhe një zgjim shpresëdhënës. Unë flija. Me anë të mëkatit që banon brenda nesh ne mund të bëhemi të lëshuar në detyrat e shenjta, përtacë në ushtrimet shpirtërore, të plogët në gëzimet shpirtërore dhe në të njëjtën kohë dembelë dhe të pakujdesshëm. Kjo është një gjendje e turpshme për dikë në të cilin Fryma gjallëruese banon; dhe është e rrezikshme në shkallën më të lartë. Edhe virgjëreshat e urta ndonjëherë dremisin, por është koha e duhur për të gjithë të zgjidhin litarët e plogështisë. Është për t’u druajtur se shumë besimtarë humbin forcën e tyre ashtu si Sansoni humbi tufën e flokëve, duke fjetur mbi prehrin e sigurisë mishore.
Me një botë që është duke vdekur përreth nesh, të flesh është mizore; me përjetësinë kaq afër, është një çmenduri. Prapëseprapë asnjë nga ne nuk është aq zgjuar sa duhet të jemi; disa gjëmime të forta do të na bënin mirë dhe mund të ndodhë që nëse nuk luajmë shpejt prej vendit, do t’i kemi ato në formën e luftës, ose sëmundjes, ose të shkretimeve dhe humbjeve. Oh, le ta braktisim përherë shtratin e rehatisë shpirtërore dhe të shkojmë përpara me pishtarë flakërues për të takuar Dhëndrin që vjen! Zemra ime përgjon. Kjo është një shenjë e lumtur. Jeta nuk është e fikur, edhe pse trishtueshëm e mbytur. Kur zemra jonë e përtëritur lufton kundër rëndimit tonë natyror, ne duhet t’i jemi mirënjohës hirit sovran që ruan pak gjallëri brenda këtij trupi vdekjeje. Jezusi do të dëgjojë zemrat tona, do të ndihmojë zemrat tona, do të vizitojë zemrat tona, sepse zëri i zemrës së zgjuar është me të vërtetë zëri i të Shumëdashurit tonë, duke thënë, “Ma hap zemrën.” Zelli i shenjtë patjetër që do të hapë derën.
Oh qëndrim i dashur! Ai qëndron
Me një zemër dhe duar të hapura;
Shpirti im Atij çdo mëkat i dorëzon;
Dhe lë të hyjë brenda mikun hyjnor.
25 shtator-mëngjes
“I drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin.”
{Romakët 3:26}
Duke qenë të shfajësuar me anë të besimit ne kemi paqe me Perëndinë. Ndërgjegjja nuk na akuzon më. Gjykimi tani vendos për mëkatarin në vend që të vendosë kundër atij. Kujtesa shikon mbrapa te mëkatet e kaluara, me trishtim të thellë për mëkatin, por prapëseprapë jo me tmerrin e ndonjë dënimi që afron, sepse Krishti ka paguar borxhin e popullit të Tij deri te jota dhe pika e fundit dhe mori dëftesën hyjnore të shlyerjes së borxhit; veçse sikur Perëndia të ishte kaq i padrejtë sa të kërkonte një pagesë të dyfishtë për një borxh, asnjë shpirt për të cilin Jezusi vdiq si një zëvendësues nuk do të hidhet në ferr. Duket se është një nga parimet e para të natyrës sonë të ndriçuar të besojmë se Perëndia është i drejtë; ne e ndjejmë se duhet të jetë kështu dhe kjo na tmerron në fillim, por është një gjë e mrekullueshme se po ky besim se Perëndia është i drejtë, bëhet më pas shtylla e mirëbesimit dhe paqes sonë!
Nëse Perëndia është i drejtë, unë, një mëkatar,vetëm dhe pa një zëvendësues, duhet të dënohem, por Jezusi qëndron në vendin tim dhe është i dënuar për mua; dhe tani, nëse Perëndia është i drejtë, unë, një mëkatar, duke qëndruar në Krishtin, nuk mund të dënohem kurrë. Do të duhej që Perëndia të ndryshonte natyrën e Tij përpara se një shpirt, për të cilin Jezusi qe një zëvendësues, të mund të vuante fshikullin e ligjit. Prandaj, Jezusi duke zënë vendin e besimtarit—duke dhënë një barasvlerës të plotë për zemërimin hyjnor për të gjithë çka populli i Tij duhet të kishte vuajtur si rrjedhojë e mëkatit, besimtari mund të thërrasë me një triumf të lavdishëm, “Kush do të akuzojë të zgjedhurit e Perëndisë?” Jo Perëndia, sepse Ai ka shfajësuar; jo Krishti, sepse Ai vdiq, “po për më tepër Ai u ringjall.” Shpresa ime jeton jo sepse nuk jam një mëkatar, por sepse jam një mëkatar për të cilin Krishti vdiq; besimi im nuk është se jam i shenjtë, por se duke qenë i pashenjtë, Ai është drejtësia ime. Besimi im nuk qëndron mbi atë që jam, ose që do të jem, ose që ndjej, ose që di, por në atë që Krishti është, në atë që Ai ka bërë dhe në atë që Ai është duke bërë për mua. Bija e hijshme e shpresës kalëron mbi luanin e drejtësisë si një mbretëreshë.
25 shtator-mbrëmje
“I Cili nga Perëndia u bë për ne dituri.”
{1 Korintasve 1 :30}
Intelekti i njeriut kërkon prehje dhe prej natyre nuk e kërkon tek Zoti Jezu Krisht. Njerëzit e edukuar janë të prirur, edhe kur janë të kthyer në besim, të shikojnë mbi thjeshtësisë e kryqit të Krishtit me një sy shumë pak adhurues dhe të dashur. Ata janë të zënë në rrjetën e vjetër ku grekët ishin zënë dhe kanë një dëshirë të fortë për të përzier filozofinë me zbulesën. Tundimi për një njeri të një mendimi të rafinuar dhe të një edukate të lartë është të largohet prej të vërtetës së thjeshtë të Krishtit të kryqëzuar dhe të shpikë, ashtu siç është fjala, një doktrinë më intelektuale. Kjo i shpuri kishat e krishtera të hershme në gnosticizëm dhe i magjepsi ato me lloj lloj herezish.
Kjo është rrënja e neologjisë dhe e të gjitha gjërave të tjera që në të kaluarën ishin kaq në modë në Gjermani dhe janë tani kaq të rrezikshme për disa soje teologësh. Kushdo që je, lexues i mirë dhe çfarëdo të jetë edukimi jot, nëse je i Zotit, ji i sigurtë se nuk do të gjesh prehje në teologjinë filozofike. Ti mund të pranosh dogmën e një mendimtari të madh, ose ëndrrën e një tjetri arsyetuesi të thellë, por ajo që byku është për grurin, ashtu do të jenë këto për fjalën e pastër të Perëndisë. E gjithë ajo arsye, edhe kur e udhëhequr më së miri, do të zbulojë se nuk është veçse ABC –ja e së vërtetës dhe madje edhe kjo nuk është e sigurtë, ndërsa në Jezu Krishtin është e përmbledhur e gjithë plotësia e urtësisë dhe e njohurisë. Të gjitha përpjekjet nga ana e të krishterit për të qenë i kënaqur me sisteme të tilla që miratohen nga unitarët dhe mendimtarët e kishës liberale, do të dështonin; trashëgimtarët e vërtetë të qiellit duhet të kthehen te realiteti shumë i thjeshtë që e bën syrin e fshatarit të shkëlqejë me gëzim dhe lumturon zemrën e të varfrit të zellshëm—”Jezusi erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.” Jezusi kënaq intelektin më të ngritur kur Ai pranohet me besim dhe përveç te Ai, mendja e të ripërtëriturit nuk gjen dot prehje. “Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e Tij.”
26 shtator-mëngjes
“Shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë.”
{Zakaria 1 :8}
Vegimi në këtë kapitull përshkruan gjendjen e Izraelit në ditën e Zakarias, por duke e interpretuar për gjendjen tonë tani, përshkruan Kishën e Perëndisë ashtu siç është tani në botë. Kisha është e krahasuar me një korije mërsinash që lulëzojnë në një lëndinë. Është e fshehur, e padalluar, e mbuluar, duke mos kërkuar asnjë nder dhe duke mos tërhequr asnjë vëmendje prej vështruesit të pakujdesshëm. Kisha, ashtu si koka e saj, ka një lavdi, por ajo është e fshehur prej syve mishërorë, sepse koha e lulëzimit në të gjithë shkëlqimin e saj nuk ka ardhur ende. Gjithashtu na sugjerohet edhe ideja e sigurisë së paqshme, sepse korija e mërsinave në lëndinë është e qetë dhe e butë, ndërsa shtrëngata pushton majat e malit. Stuhitë e shpenzojnë forcën e tyre mbi majat e thyera të Alpeve, por atje poshtë ku rrjedh rryma që gëzon qytetin e Perëndisë sonë, mërsinat lulëzojnë pranë ujërave të qeta, të patrazuara prej erës së furishme. Sa e madhe që është qetësia e brendshme e Kishës së Perëndisë!
Edhe kur është e kundërshtuar dhe e përndjekur, ajo ka paqe që bota nuk mund të japë dhe që prandaj nuk mund ta heqë dot; paqja e Perëndisë që tejkalon çdo njohuri ruan zemrat dhe mendjet e popullit të Perëndisë. A nuk përshkruan metafora bindshëm rritjen e përhershme e të paqshme të shenjtorëve? Mërsina nuk rrëzon gjethet, ajo është përherë e gjelbër dhe Kisha në kohën e saj më të vështirë akoma ka një gjelbërim të bekuar hiri rreth saj ; jo, ndonjëherë ajo ka shfaqur akoma më shumë gjelbërim kur dimri i saj ka qenë më i vrazhdë. Ajo ka begatuar më shumë atëherë kur kundërshtitë e saj kanë qenë tepër të rrepta. Pra teksti i bën aluzion fitores. Mërsina është emblema e paqes dhe një shenjë domethënëse triumfi. Ballët e ngadhënjimtarëve ishin të lidhur me mërsina dhe dafina ; dhe a nuk është Kisha përherë fitimtare? A nuk është çdo i krishterë më shumë se ngadhënjimtar përmes Atij që e deshi atë? Duke jetuar në paqe, a nuk bien në gjumë shenjtorët në krahët e fitores ?
26 shtator-mbrëmje
“Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë.”
{Zakaria 11:2}
Kur në pyll dëgjohet rënia me zhurmë e një lisi, është një shenjë se druvari ka dalë jashtë dhe se çdo pemë bën mirë të dridhet me frikën se mos të nesërmen i vjen radha për t’u gjetur nga tehu i mprehtë i sëpatës. Ne jemi të gjithë si pemë të shënuara për sëpatën dhe rrëzimi i njërës duhet të na kujtojë se për secilin, qoftë ky i madh si kedri apo i përulur si selvia, ora e caktuar po përvidhet me shpejtësi. Nuk besoj se duke dëgjuar shpesh për vdekjen,bëhemi të pandjeshëm në lidhje me të. Mos qofshim kurrë si zogjtë në kambanore që ndërtojnë foletë e tyre kur kambanat po bien për mort dhe mbyllin sytë qetë qetë kur kumbimet e përmotshme solemne po tronditin ajrin. Le ta shikojmë vdekjen si ngjarjen më të rende nga të gjitha dhe të jemi hijerëndë në afrimin e saj. Do të ishte keq sikur të dëfrenim ndërsa fati ynë i përjetshëm varet në një fill. Shpata është jashtë millit të saj—mos të merremi me çikërrima; ajo është e lëmuar dhe tehu është i mprehtë—le të mos luajmë me të. Ai që nuk përgatitet për vdekjen është më shumë se një i çmendur i zakonshëm, është një kokëkrisur. Kur zëri i Perëndisë dëgjohet midis pemëve të kopshtit, si fiqtë dhe manat, ashtu dhe vidhi dhe kedri dëgjofshin zërin.
Ji gati shërbëtor i Krishtit sepse Mjeshtri yt vjen papritur atëherë kur një botë e papërshpirtshme e pret atë më pak. Ki kujdes që të jesh besnik në veprën e tij sepse varri së shpejti do të gërmohet për ty. Jini gati, prindër, kujdesuni që fëmijët tuaj të rriten në frikën e Perëndisë sepse së shpejti ata do të jenë jetimë; jini gati, biznesmenë, kujdesuni që punët tuaja të jenë të ndershme dhe që t’i shërbeni Perëndisë me gjithë zemrën tuaj sepse ditët e shërbimit tuaj tokësor së shpejti do të mbarojnë dhe do të thërriteni të jepni llogari për veprat e bërë në trup, qofshin të mira apo të liga. U përgatitshim të gjithë për gjykatën e Mbretit të madh me një përkujdesje që do të shpërblehet me lëvdatën e hirshme,”Të lumtë, o shërbëtor i mirë dhe besnik.”
27 shtator-mëngjes
“Ti je i lumtur, o Izrael! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti?”
{Ligji i përtërirë 33:29}
Ai që pohon se krishtërimi i bën njerëzit të mjerë është vetë një i huaj për të. Do të ishte me të vërtetë e habitshme, nëse do të na bënte të gjorë sepse vini re se në çfarë pozicioni na lartëson! Na bën fëmijë të Perëndisë. A jua merr mendja vallë se Perëndia do t’i jepte të gjithë lumturinë armiqve të Tij dhe do t’i caktonte të gjithë vajtimin vetë familjes së Tij? A do të kenë armiqtë e Tij hare dhe gëzim dhe a do të trashëgojnë bijtë e shtëpisë së vet trishtimin dhe mjerimin? A do ta quante veten të pasur mëkatari, i cili nuk ka pjesë në Krisht dhe a do largoheshim ne tutje sikur të ishim lypës pa as dhe një kacidhe? Jo, ne do gëzohemi përherë në Zotin dhe do të lavdërohemi në trashëgiminë tonë, sepse ne “nuk kemi marrë një frymë robërie, që të kemi përsëri frikë, po kemi marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”
Purteka e ndreqjes duhet të vijë mbi ne në masën e duhur, por ajo vepron për ne frytet ngushëlluese të drejtësisë dhe prandaj me anë të ndihmës së Ngushëlluesit hyjnor, ne, “populli i shpëtuar prej Zotit,” do të gëzohemi në Perëndinë e shpëtimit tonë. Ne jemi të martuar me Krishtin dhe a do të lejojë vallë Dhëndri ynë i madh nusen e Tij të lëngojë në dhembje të vazhdueshme? Zemrat tona janë të bashkuara me Të; ne jemi gjymtyrët e Tij dhe edhe pse për pak kohë mund të vuajmë ashtu si Kreu ynë vuajti një herë, prapëseprapë ne jemi edhe tani të bekuar me bekime qiellore në Të. Ne kemi kaparin e trashëgimisë sonë në ngushëllimet e Frymës të cilat nuk janë as të pakta as të vogla. Përherë trashëgimtarë gëzimi, ne kemi shijime të riskut tonë. Ka vijëza drite gëzimi për të lajmëruar lindjen e diellit tonë të përjetshëm. Pasuritë tona janë përtej detit; qyteti ynë me themele të qëndrueshme është në anën tjetër të lumit;vegullime lavdie prej botës frymërore gëzojnë zemrat tona dhe na nxisin të ecim përpara. Me vërtetësi thuhet, “Ti je i lumtur, o Izrael!Kush është barabar me ty,o popull i shpëtuar nga Zoti ?”
27 shtator-mbrëmje
“I dashuri im e vuri dorën të vrima e derës dhe të përbrendshmet e mia u ngashëryen nga ai.”
{Kantiku i kantikeve 5 :4}
E trokitura nuk mjaftonte sepse zemra ime ishte tepër e përgjumur, tepër e ftohtë dhe mosmirënjohëse për t’u ngritur dhe për të hapur derën, por prekja e hirit të Tij të efektshëm e bëri shpirtin tim të lëvizë përbrenda. Oh ç’zemërbutësi e të Dashurit tim që qëndron akoma kur e gjen Veten jashtë dhe mua më gjen të përgjumur në shtratin e plogështisë! Oh, ç’durim i madh për të trokitur dhe trokitur përsëri duke i shtuar trokitjeve zërin e Tij, duke më përgjëruar t’i hap derën! Si vallë e kam kundërshtuar! Zemër e ulët, skuqu dhe të të vijë turp! Mirëpo, më e madhja mirësi nga të gjitha, Ai bëhet derëtar i Vetes se Tij dhe e ç’kyç vetë portën. Tre herë e bekuar është dora që begenis të ngrejë rézen dhe të rrotullojë çelësin.
Tani e kuptoj se asgjë përveçse vetë pushteti i Zotit tim nuk mund të shpëtojë një masë të prapë ligësie ashtu si unë; ritet dështojnë, madje edhe ungjilli nuk ka ndikim mbi mua deri atëherë kur dora e Tij shtrihet. Tani, gjithashtu, dalloj se dora e Tij është e mbarë atje ku çdo gjë tjetër është e pasuksesshme, Ai mund të hapë ndërsa asgjë tjetër nuk do të mundte. I bekuar qoftë emri i Tij, e ndjej praninë e Tij edhe tani. Me vend është që zemra ime ngashërehet për Të kur mendoj për gjithçka që vuajti për mua dhe për kthimin tim mosmirënjohës. Kam lejuar ndjenjat e mia të hallakaten. Kam ngritur në këmbë rivalë. E kam pikëlluar. Më i ëmbli dhe me i shtrenjtë nga të gjithë të dashurve, të kam trajtuar ashtu si një grua e pabesë trajton burrin e saj. Oh, mëkatet e mia mizore,vetja ime mizore. Çfarë mund të bëj vallë ?Lotët janë një shfaqje e kotë pendimi, gjithë zemra ime zien nga zemërimi ndaj vetvetes. I mjerë jam, që trajtoj Zotin tim, Gjithçkanë time në Gjithçka, gëzimin tim të madh sikur të ishte një i huaj. Jezus, Ti fal bollshëm, por kjo nuk mjafton, parandalo pabesinë time në të ardhmen. Largo me puthjen tënde këto lot dhe më pas pastro zemrën time dhe lidhe atë me Veten tënde me një litar me shtatë fije për të mos u hallakatur më kurrë.
28 shtator-mëngjes
“Zoti shikon nga qielli; Ai shikon tërë bijtë e njerëzve.”
{Psalmi 33:13}
Ndoshta asnjë figurë shprehie nuk e përfaqëson Perëndinë në një dritë më të hirshme se sa kur përshkruhet teksa përkulet prej fronit të Tij dhe teksa vjen poshtë prej qiellit për t’ia vënë veshin nevojave të njerëzimit dhe për të parë vuajtjet e tij. Ne e duam Atë, i Cili, kur Sodoma dhe Gomora ishin plot me shkelje, nuk deshi t’i shkatërronte pa i vizituar më parë personalisht. Nuk mund të mos derdhim zemrat tona me dashamirësi për Zotin tonë që përkul veshin e Tij që prej lavdisë më të lartë dhe e vendos në buzën e mëkatarit shpirtdhënës që me zemër të këputur dëshiron me zjarr pajtimin. Si nuk mund përveçse ta duam Atë kur e dimë se Ai numëron edhe flokët e kokës sonë, vijëzon udhën tonë dhe cakton shtigjet tona?
Kjo e vërtetë e madhe vendoset në mënyrë të veçantë pranë zemrës sonë kur sjellim ndërmend se sa i kujdesshëm është Ai jo vetëm për interesat tokësore të krijesave të Tij, por edhe për çështjet e tyre shpirtërore. Edhe pse distanca të mëdha ndodhen mes krijesës së kufizuar dhe Krijuesit të pafund, prapëseprapë ka lidhje që i bashkojnë të dy. Kur një lot derdhet prej teje, mos mendo se Perëndia nuk e sheh; sepse, “ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej Tij.” Rënkimi yt mund të ngashërejë zemrën e Jehovait; pëshpërima jote mund të kthejë veshin e Tij drejt teje; lutja jote mund të përmbajë dorën e Tij; besimi yt mund të lëvizë krahun e Tij. Mos mendo se Perëndia qëndron lart pa të marrë parasysh. Kujto se sado i varfër dhe nevojtar të jesh, prapëseprapë Zoti mendon për ty, sepse sytë e Zotit shikojnë përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e Tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj Tij.
Oh!Atëherë përsërit të vërtetën që nuk meket kurrë
Asnjë Perëndi nuk është si Perëndia që shpirti im dëshiron
Ai me zërin që bën qiellin të dridhet, po Ai Vetë
Edhe pse i madhërishëm, di si të përkulet drejt meje.
28 shtator-mbrëmje
“Kthehu të shikosh, shtatë herë.”
{1 Mbretërve 18 :43}
Suksesi është i sigurtë kur Zoti e ka premtuar atë. Edhe pse mund të jesh përgjëruar muaj pas muaji pa ndonjë provë përgjigjeje, nuk është e mundur që Zoti të mund të jetë i shurdhër kur njerëzit e Tij janë këmbëngulës në një çështje që ka të bëjë me lavdinë e Tij. Profeti në majën e Karmelit vazhdoi të luftonte me Perëndinë dhe kurrë as dhe për një çast nuk i la shteg frikës se ndoshta nuk ishte i denjë të paraqitej para gjykatës së Jehovait. Gjashtë herë shërbëtori u kthye, por në çdo rast asnjë fjalë nuk u shpreh përveçse “Kthehu përsëri.” Ne nuk duhet as që të na shkojë mendja të jemi mosbesues, por duhet të këmbëngulim në besimin tonë deri edhe në shtatëdhjetë herë shtatë. Besimi dërgon shpresën pritëse për të vështruar prej majës së Karmelit dhe nëse asgjë nuk duket, ai e dërgon përsëri dhe përsëri. Jo vetëm që nuk dërrmohet prej zhgënjimit të përsëritur, por besimi gjallërohet për të përgjëruar akoma më me zjarr Perëndinë e tij.
Ai përulet, por nuk çoroditet; gulçimat e tij janë më të thella dhe pëshpërimat e tij më të zjarrta, por ai kurrë nuk e liron mbërthimin e tij ose e lëshon dorën. Do të ishte më e këndshme për mishin dhe gjakun të kenë një përgjigje të shpejtë, por shpirtrat besimtarë kanë mësuar të jenë të nënshtruar dhe i duket mirë të presin për Zotin dhe prej Zotit. Përgjigjet e vonuara shpesh e bëjnë zemrën të shqyrtojë veten dhe kështu që shpien në pikëllim dhe reformim shpirtëror; goditje vdekjeprurëse i jepen kështu korruptimit tonë dhe dhomat e imagjinatës pastrohen. Rreziku i madh është se mos njerëzit i lëshon zemra dhe kështu humbin bekimin. Lexues, mos bjer në atë mëkat, por vazhdo në lutje dhe vigjilencë. Së fundmi reja e vogël u duk, pararendësi i sigurtë i litarëve të shiut dhe po ashtu edhe me ty, shenja e mbarë me siguri që do të jepet dhe ti do të ngrihesh si një princ mbizotërues për të gëzuar mëshirën që ke kërkuar. Elia ishte një njeri me të njëjtat pasione si ne; fuqia e tij me Perëndinë nuk qëndronte në vetë meritat e tij. Nëse lutja e tij besimtare vlejti kaq shumë, pse jo vallë e jona? Merr në mbrojtje pa reshtur gjakun e çmuar dhe do të të bëhet sipas dëshirës tënde.
29 shtator-mëngjes
“Në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën.”
{Levitiku 13:13}
Duket e çuditshme kjo rregull, prapëseprapë ka urtësi në të, sepse dalja në sipërfaqe e sëmundjes provonte se njeriu ishte i shëndetshëm. Këtë mëngjes do të ishte mirë për ne të shikojmë mësimin simbolik të një rregulle kaq të veçantë. Ne gjithashtu jemi lebrosë dhe mund ta lexojmë ligjin e lebrës si të zbatueshëm për veten tonë. Kur një njeri shikon veten se është i humbur ashtu dhe i rrënuar, i mbuluar kokë e krye me fëlliqjen e mëkatit dhe me asnjë pjesë të pandotur, kur heq dorë nga çdo drejtësi të vetën dhe paraqitet fajtor përpara Zotit, atëherë ai është i pastër me anë të gjakut të Jezusit dhe hirit të Perëndisë. Shkelja e parrëfyer, e pandjerë dhe e fshehur është lebrosa e vërtetë, por kur mëkati shihet dhe ndihet, ai ka marrë goditjen vdekjeprurëse dhe Zoti shikon me mëshirë mbi shpirtin e pikëlluar me të.
Asgjë nuk është më vdekjeprurëse se vetë drejtësia ose më shpresëdhënëse se keqardhja prej së mëkatuarit. Ne duhet të rrëfejmë se nuk jemi “asgjë tjetër përveçse mëkat,” sepse asnjë rrëfim që nuk është i tillë nuk do të jetë e vërteta e plotë dhe nëse Fryma e Shenjtë është duke punuar brenda nesh duke na bindur për mëkat, nuk do të ketë vështirësi për të bërë një pohim të tillë—do të burojë vetvetiu prej buzëve tona. Çfarë ngushëllimi që i jep teksti atyre që janë nën një ndijim të thellë mëkati! Mëkati i vajtuar dhe i rrëfyer sado i zi dhe i pistë nuk do ta lërë kurrë një njeri jashtë Zotit Jezus. Kushdo që vjen te Ai, në as asnjë mënyrë nuk do të flaket jashtë. Edhe pse i pandershëm si keqbërësi, edhe pse i padlirë si gruaja mëkatare, edhe pse i egër si Sauli i Tarsës, edhe pse mizor si Manase, edhe pse rebel si plëngprishësi, zemra e madhe e dashurisë do të shikojë njeriun që ndjen se nuk ka gjë të mirë përbrenda dhe do ta shpallë të pastër ndërsa e vë besimin në Jezusin e kryqëzuar. Eja te Ai, atëherë, ti i gjorë mëkatar i ngarkuar rëndë.
Eja nevojtar, eja fajtor, eja i neveritshëm dhe i zhveshur
Sado i fëlliqur të jesh—Eja ashtu siç je.
29 shtator-mbrëmje
“Gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis.”
{Kantiku i kantikëve 3:4}
A na pranon Krishti kur vijmë te Ai me gjithë mëkatshmërinë tonë të së kaluarës? A nuk na ndreq vallë për shkak se kemi provuar së pari të gjitha vendet e tjera të strehimit? Dhe a ka ndonjë në tokë si Ai? A është Ai më i miri nga të gjithë të mirët, më i hijshmi nga të gjithë të hijshmit? Oh, atëherë le ta lavdërojmë Atë! Bija të Jeruzalemit, madhëroheni Atë me daulle të vogla dhe harpa! Poshtë idhujt tuaj, lart Zoti Jezus. Tani, flamujt e pompozitetit dhe krenarisë le të shkelen me këmbë, por kryqi i Jezusit, që bota e përqesh dhe nuk e pëlqen, le të ngrihet lart. Oh për një fron fildishi për Mbretin tonë Solomon! Le të vendoset lart përherë dhe shpirti im le të ulet në stolin e këmbëve të Tij dhe të puth këmbët e Tij dhe t’i laj me lotët e mi. Oh, sa i çmuar që është Krishti! Si mund të jetë vallë që kam menduar kaq pak për Të?
Si është e mundur që shkoj tutje për gëzim dhe ngushëllim ndërkohë që Ai është kaq i plotë, kaq i pasur, kaq kënaqësidhënës. Vëlla besimtar, bëj një besëlidhje me zemrën tënde se nuk do të largohesh kurrë prej Tij dhe kërkoi Zotit tënd ta vulosë atë. Lutju që të të vendosë si një unazë në gishtin e Tij dhe si një byzylyk në krahun e Tij. Kërkoi të të lidhë rreth Tij ashtu si nusja e mbulon veten me zbukurime dhe ashtu si dhëndri vë gurët e tij të çmuar. Do të doja të jetoja në zemrën e Krishtit; në të çarat e atij shkëmbi do të donte shpirti im të qëndronte përherë. Harabeli dhe dallëndyshja kanë fole ku mund të shtrojnë të vegjlit e tyre; po ashtu edhe altarët e Tu, o Zot i ushtrive, Mbreti dhe Perëndia im; dhe po ashtu dhe unë do të doja ta bëja folenë, shtëpinë time, në Ty dhe që shpirti i turtulleshës tënde të mos largohet kurrë më, por të struket ngushtë me Ty, o Jezus, prehja ime e vërtetë.
Kur Zotin tim të çmuar gjej,
Me dashuri të zjarrtë e mbërthej;
Me litarët e dashurisë e afroj
E mbaj dhe nuk e lë të shkojë.
30 shtator-mëngjes
“I këndoni himne lavdisë së emrit të Tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e Tij.”
{Psalmi 66 :2}
Nuk kemi zgjedhje për të lavdëruar Perëndinë apo jo. Lëvdimi është çka i takon me të drejtë Perëndisë dhe çdo i krishterë, si marrësi i hirit të Tij, është i detyruar të lëvdojë Perëndinë ditë për ditë. Është e vërtetë se nuk kemi rregull të detyrueshëm për lëvdim të përditshëm; nuk kemi urdhëresë për këngë dhe falënderime në orë të caktuara, por ligji i shkruar në zemër na mëson se është e drejtë të lëvdosh Perëndinë dhe rregulla e pashkruar vjen te ne po me aq forcë sikur të kishte qenë shënuar mbi pllaka guri ose sikur të na ishte dorëzuar prej Sinait gjëmues. Po, është detyra e të krishterit të lëvdojë Perëndinë.
Nuk është veçse një ushtrim i këndshëm, por është edhe detyrimi absolut i kësaj jete. Ju që jeni gjithmonë duke vajtuar, mos mendoni se jeni të pafaj në këtë drejtim ose mos përfytyroni se mund ta kryeni detyrën tuaj ndaj Perëndisë pa këngë lavdërimi. Jeni të detyruar prej lidhjeve të dashurisë së Tij të bekoni emrin e Tij për aq gjatë sa jetoni dhe lëvdata e Tij duhet të jetë vazhdimisht në gojën tuaj, sepse jeni të bekuar me qëllim që ta bekoni; “populli që kam formuar për vete do të shpallë lëvdimet e mia.” Nëse nuk lëvdoni Perëndinë, nuk po jepni frutin që Ai, si Bujku Hyjnor, ka të drejtë të presë prej duarve tuaja. Prandaj le të mos varet harpa jote mbi shelgjet lotues, por zbrite poshtë dhe përpiqu, me një zemër mirënjohëse, të nxjerrësh në pah melodinë e saj më të mirë. Ngrehu dhe këndo lëvdatat e Tij. Në çdo agim, ngre lart notat e tua të falënderimit dhe shoqëro me këngën tënde çdo perëndim dielli. Ngjishe tokën me lavdërimet e tua; rrethoje me një atmosferë melodie dhe vetë Perëndia do të dëgjojë prej qiellit dhe do të pranojë muzikën tënde.
Kështu të dua, do të të dua në përjetësi
Dhe do të të këndoj për lëvdim
Sepse je i shumëdashuri im o Perëndi
Dhe shpëtimtari Mbreti im.
30 shtator-mbrëmje
“Një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur.”
{Predikuesi 9 :4}
Jeta është një gjë e çmuar dhe edhe në formën e saj më të ulët ajo mbetet mbi vdekjen. Kjo e vërtetë është tejet e sigurtë në gjërat shpirtërore. Është më mirë të jesh më i vogli në mbretërinë e qiellit se sa më i madhi jashtë saj. Shkalla më e ulët e hirit është më e lartë se zhvillimi më fisnik i natyrës së vjetër. Atje ku Fryma e Shenjtë mbjell jetën hyjnore në shpirt, ka një depozitë të çmuar që asgjë prej rafinimeve të edukimit nuk mund ta barazojë. Keqbërësi mbi kryq ia kalon Cezarit në fron; Llazari mes qenve është më mirë se sa Ciceroni midis senatorëve dhe i krishteri më i paditur është nën sytë e Perëndisë më i madh se Platoni. Jeta është stema e fisnikërisë përsa i përket gjërave shpirtërore dhe pa të njerëzit janë vetëm mostra më bruto ose më të përpunuara të së njëjtit material të pajetë, që kanë nevojë të ngjallen, sepse janë të vdekur në shkelje dhe mëkate.
Një predikim ungjillor, i dashur, i gjallë, sado i varfër në lëndë dhe i trashë në stil, është më mirë edhe se fjalimi më i shkëlqyer që është i zbrazur prej vajosjes dhe fuqisë. Një qen i gjallë ruan më mirë se një luan i ngordhur dhe i shërben më shumë të zotit të tij ; dhe po kështu predikuesi më i varfër shpirtërisht duhet të parapëlqehet ku e ku më tepër nga gojëtari më i spikatur që nuk ka urtësi përveç asaj të fjalëve, nuk ka energji përveç atë të tingullit. E njëjta gjë vlen për lutjet tona dhe ushtrimet e tjera të besimit; nëse jemi të gjallëruar në to prej Frymës së Shenjtë, ato janë të pranueshme për Perëndinë me anë të Jezu Krishtit edhe pse ne na duken gjëra pa vlerë; ndërsa punët tona të mëdha ku zemrat tona mungojnë, ashtu si luanë të ngordhur, janë thjesht mërsha nën sytë e Perëndisë së gjallë. Oh për gulçime të gjalla, psherëtima të gjalla, dekurajime të gjalla, se sa këngë të pajetë dhe qetësi të vdekur. Më mirë çdo gjë tjetër se sa vdekjen. Skërmitjet e qenit të ferrit të paktën do të na mbajnë zgjuar, por besimi i vdekur dhe dëshmia e vdekur, çfarë mallkimesh më të mëdha mund të ketë vallë një njeri? Na ngjall, na ngjall, O Zot!