1 tetor-mëngjes
“Fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.”
{Kantiku i kantikëve 7:13}
Nusja dëshiron t’i japë Jezusit gjithçka që ajo prodhon. Zemra jonë ka “lloj lloj fryte të zgjedhura, të freskëta dhe të vjetra dhe ato janë të ruajtura për të Dashurin tonë. Në këtë sezon vjeshte me bollëk frutash, le të mbikëqyrim depot tona. Kemi fryte të reja. Ne dëshirojmë të ndjejmë jetë të re, gëzim të ri, mirënjohje të re; kemi nevojë të marrim vendime të reja dhe t’i zbatojmë me përpjekje të reja; zemra jonë lulëzon me lutje të reja dhe shpirti ynë po zotohet për përpjekje të reja, por ne kemi gjithashtu ca fryte të vjetra. Është dashuria jonë e parë; një fryt i zgjedhur ky! dhe Jezusi kënaqet në të. Është besimi ynë i parë; ai besim i thjeshtë me të cilin, duke mos pasur asgjë bëhemi zotëruesit e gjithçkaje. Është gëzimi ynë kur së pari njohëm Zotin; le ta ripërtërijmë. Kemi përkujtimet e vjetra të premtimeve.
Sa besnik ka qenë Perëndia! Në sëmundje, sa butësisht e përgatiti shtratin tonë! Në ujëra të thella, sa me qetësi na nxori jashtë! Në furrën e zjarrtë, sa hirësisht na çliroi. Fryte të vjetra me të vërtetë! Ne kemi shumë nga to, sepse mëshirat e tij kanë qenë më shumë se sa flokët e kokës tonë. Ne duhet të na vije keq për mëkatet e vjetra, por atëherë ne kemi patur pendime që Ai na ka dhënë, me të cilat ne kemi bërë udhën tonë të kryqi duke qarë dhe kemi mësuar meritën e gjakut të tij. Ne kemi fryte, këtë mëngjes, të reja dhe të vjetra, por këtu është thelbi—ato janë të gjitha të ruajtura për Jezusin. Me të vërtetë, janë shërbimet më të mira dhe më të pranueshme ku Jezusi është qëllimi i vetëm i shpirtit dhe lavdia e Tij, pa ndonjë përzierje çfarëdo qoftë, qëllimi i të gjitha përpjekjeve tona. Le të ruhen shumë nga frytet tona vetëm për të Dashurin tonë; le t’i vëmë në dukje kur Ai është me ne dhe jo t’i nxjerrim para vështrimit të njerëzve. Jezus, ne do mbyllim me çelës portën e kopshtit dhe askush nuk do të hyje për të grabitur prej Teje qoftë edhe një nga frytet prej tokës që Ti ke ujitur me djersën tënde të gjakosur. Gjithçkaja jona do të jetë jotja, e jotja vetëm, o Jezus, i Dashuri ynë!
1 tetor-mbrëmje
“Ai do të japë hir dhe lavdi.”
{Psalmi 84:11}
Jehovai është bujar në natyrën e Tij; të japë është kënaqësia e Tij. Dhuratat e Tij janë përtej mase të çmueshme dhe janë po aq falas të dhëna sa drita e diellit. Ai i jep hir të zgjedhurit të Tij sepse kështu i pëlqen, të shfajësuarit të Tij për shkak të besëlidhjes së Tij, të thirrurit për shkak të premtimit të Tij, besimtarëve sepse ata e kërkojnë Atë, mëkatarëve sepse ata kanë nevojë për Të. Ai jep hir me bollëk, në kohën e duhur, vazhdimisht, me gatishmëri, me sovranitet;duke rritur dyfish vlerën e mirësisë së Tij me mënyrën e dhënies së saj. Hirin në të gjitha format e tij Ai ia jep falas popullit të Tij: duke ngushëlluar, duke ruajtur, duke shenjtëruar, duke drejtuar, duke mësuar; hir përkrahës Ai derdh me zemërgjerësi në shpirtrat e tyre pa pushuar dhe Ai do të bëjë gjithmonë kështu pa reshtur, çfarë do që të ndodhë. Mund të vijë një sëmundje, por Zoti do të japë hir; varfëria mund të na prekë, por hir do të jepet me siguri; vdekja duhet të vijë, por hiri do të ndezë një dritë në orën më të errët. Lexues, sa gjë e bekuar që është teksa vitet rrokullisen dhe gjethet fillojnë përsëri të bien, të gëzosh një premtim të tillë të pa vyshkur si ky,”Zoti do të japë hir.”
Bashkëlidhja e vogël “dhe” në këtë varg është perçina prej diamanti që lidh të tashmen me të ardhmen; hiri dhe lavdia shkojnë përherë dorë për dore. Perëndia i ka bashkuar dhe askush nuk mund t’i ndajë ato. Zoti nuk do t’i mohojë kurrë një shpirti lavdinë ndërsa i ka dhënë falas të varet në hirin e Tij; me të vërtetë, lavdia nuk është gjë tjetër përveçse hiri në rrobat e Shabatit, hiri në lulëzim të plotë, hiri si fryti i vjeshtës, i pjekur dhe i plotë. Se sa shpejt mund ta kemi lavdinë, askush nuk mund ta thotë! Mund të ndodhë që përpara këtij muaji tetori të shikojmë Qytetin e Shenjtë, por qoftë intervali më i gjatë ose më i shkurtër, ne do të lavdërohemi. Lavdi, lavdinë e qiellit, lavdinë e përjetësisë, lavdinë e Jezusit, lavdinë e Atit, Zoti do t’ua japë me siguri të zgjedhurve të Tij. Oh, premtim i rrallë i një Perëndie besnik!
Dy vargonj të artë të një zinxhiri qiellor:
Ai që ka hir do të fitojë me siguri lavdi.
2 tetor-mëngjes
“Shpresa që ruhet për ju në qiejt.”
{Kolosianëve 1:5}
Shpresa jonë në Krisht për të ardhmen është shtytja dhe shtylla e gëzimit tonë këtu. Ajo do të gjallërojë zemrat tona për të menduar shpesh mbi parajsën, sepse gjithçka që mund të dëshirojmë është premtuar atje. Këtu jemi të lodhur dhe të rraskapitur, por atje është toka e çlodhjes ku djersa e punës së rëndë nuk do të njomi më ballin e punëtorit dhe lodhja do të zhduket përherë. Për ato që janë të lodhur dhe të kapitur, fjala “çlodhje” është plot me qiell. Ne jemi gjithmonë në fushën e betejës; ne jemi kaq të tunduar përbrenda dhe kaq të ngacmuar prej armiqve jashtë, sa që kemi pak ose aspak paqe, por në qiell do të gëzojmë fitoren, kur flamuri do të valëvitët lart në triumf, shpata do të vihet në mill dhe ne do të dëgjojmë Kapitenin tonë të thotë, “Shumë mirë, shërbëtor i mirë dhe besnik.”
Kemi vuajtur humbje mbas humbje, por ne po shkojmë drejt tokës të pavdekësisë ku varret janë gjëra të panjohura. Këtu mëkati është një dhembje e vazhdueshme për ne, por atje do të jemi të shenjtë në mënyrë të përkryer, sepse atje në atë mbretëri nuk do të hyjë në asnjë mënyrë ndonjë gjë që është e ndotur. Barërat e këqija nuk mbijnë lart atje në brazdat e fushave qiellore. Oh! a nuk është gëzim, se nuk do të jeni të dëbuar përherë, se nuk do të banoni përjetësisht në këtë shkretëtirë, por do të trashëgoni shpejt Kananin? Prapëseprapë le të mos thuhet kurrë për ne, se po ëndërrojmë për të ardhmen dhe se po harrojmë të tashmen; e ardhmja shenjtëroftë të tashmen për përdorimet më fisnike. Me anë të Frymës së Perëndisë shpresa e parajsës është forca më e fuqishme për prodhimin e virtytit; është një burim përpjekjesh të gëzueshme, është gur kyçi i një shenjtërie të gëzueshme. Njeriu që ka këtë shpresë brenda tij e bën punën e tij me fuqi, sepse gëzimi i Zotit është forca e tij. Ai lufton kundër tundimit me zjarr,sepse shpresa e botës së ardhshme zmbraps thumbat e zjarrtë të kundërshtarit. Ai mund të punojë pa një shpërblim të tanishëm, sepse ai kërkon një shpërblim në botën që vjen.
2 tetor-mbrëmje
“Njeri shumë i dashur.”
{Danieli 10:11}
Fëmijë i Perëndisë, a po heziton të përvetësosh këtë titull?Ah! mosbesimi jot a të ka bërë të harrosh se ti je shumë i dashur gjithashtu?A nuk mund të jesh vallë shumë i dashur, përderisa ti u bleve me anë të gjakut të çmuar të Krishtit, si një qengj pa të metë dhe i panjollë? Kur Perëndia goditi Birin e tij të vetëmlindur për ty, çfarë ishte kjo përveçse të jesh shumë i dashur? Ti jetove i dhënë me mish e shpirt ndaj mëkatit, a nuk ke qenë shumë i dashur për Perëndinë që të ka duruar me kaq durim? Ti u thirre prej hirit dhe u udhëhoqe te një Shpëtimtar dhe u bëre një fëmijë i Perëndisë dhe një trashëgimtar i qiellit. A nuk provon e gjitha kjo një dashuri shumë të madhe dhe me bollëk? Që prej asaj kohe, si kur shtegu jot ishte i ashpër me vështirësi ose edhe i butë me mëshira, ka qenë plot me prova se ti je një njeri shumë i dashur.
Nëse Zoti të ka ndrequr, prapëseprapë jo në zemërim; nëse të ka bërë të varfër, prapëseprapë në hir ke qenë i pasur. Aq më shumë e ndjen veten të pavlerë, më shumë ke dëshmi se asgjë përveç dashurisë së pashprehshme mund ta ketë shpjerë Zotin Jezus të shpëtojë një shpirt të tillë si i yti. Aq më shumë ndjehesh pa meritë, aq më qartë është shfaqja e dashurisë së bollshme së Perëndisë në zgjedhjen tënde, në thirrjen tënde si dhe duke të të bërë një trashëgimtar i lumnisë. Tani, nëse ka një dashuri të tillë midis Perëndisë dhe nesh, le të jetojmë nën ndikimin dhe ëmbëlsinë e saj dhe të përdorim privilegjin e pozicionit tonë. Mos të lejojmë t’i afrohemi Zotit tonë sikur të ishim të huaj, ose sikur Ai nuk do të donte të na dëgjonte—sepse ne duhemi shumë prej Atit tonë të dashur. “Sepse Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me Të?” Eja me guxim, o besimtar, sepse pavarësisht pëshpërimave të satanit dhe dyshimeve të vetë zemrës tënde, ti duhesh shumë. Përsiat mbi besnikërinë dhe madhështinë e madhe të dashurisë hyjnore këtë mbrëmje dhe kështu shko në shtratin tënd në paqe.
3 tetor-mëngjes
“A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?”
{Hebrenjve 1:14}
Engjëjt janë shoqëruesit e padukshëm të shenjtorëve të Perëndisë; ata na mbajnë në duart e tyre, në mënyrë që të mos të godasim me këmbë ndonjë gur. Besnikëria kundrejt Zotit të tyre i udhëheq të kenë një interes të madh për fëmijët e dashurisë së Tij; ata gëzohen prej kthimit së plëngprishësit poshtë në shtëpinë e atit të Tij dhe ata mirëpresin ardhjen e besimtarit lart në pallatin e Mbretit. Në kohët e vjetra bijtë e Perëndisë ishin të favorizuar me shfaqjen e tyre të dukshme dhe në këtë ditë, edhe pse të nuk i shohim, parajsa është akoma e hapur dhe engjëjt e Perëndisë ngjiten dhe zbresin mbi Birin e njeriut, në mënyrë që të vizitojnë trashëgimtarët e shpëtimit. Serafinët akoma fluturojnë me një urë zjarri prej altarit për të prekur buzët e njerëzve shumë të dashur. Nëse sytë tanë të mund të hapeshin, ne do të shikonim kuaj prej zjarri dhe qerre prej zjarri përreth shërbëtorëve të Zotit, sepse kemi ardhur në praninë e një shoqërie të panumërt engjëjsh, që janë të gjithë rojet dhe mbrojtësit e racës mbretërore. Vargu i Spenserit nuk është trillim poetik,kur këndon—
Sa shpesh që me majë flatre të artë
Ata çajnë qiejt si rojtarë fluturues
Për të na ndihmuar duke luftuar kundër djajve të poshtër!
Oh në çfarë dinjiteti janë të ngritur të zgjedhurit kur oborrtarët e qiellit bëhen vullnetarisht shërbëtorët e tyre! Oh në çfarë shoqërimi që jemi të ngritur përderisa kemi bashkëveprim me qenie qiellore të panjollë! Sa mirë që jemi të mbrojtur përderisa të gjitha njëzet mije qerret e Perëndisë janë të armatosura për çlirimin tonë! Kujt i detyrohemi të gjitha gjërat? Zoti Jezu Krisht le të jetë përherë i shtrenjtë për ne, sepse nëpërmjet Tij ne jemi bërë të ulemi në vende qiellore shumë lart principatave dhe pushteteve. Kampi i Tij është përreth atyre që e kanë frikë; Ai është Mikaeli i vërtetë këmba e të cilit është mbi dragoin. Të gjithë përshëndesin Jezusin! Ti Engjëll i pranisë së Jehovait, Ty kjo familje të ofron zotimet e mëngjesit.
3 tetor-mbrëmje
“Duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua.”
{Hebrenjve 2 :18}
Është një mendim i zakonshëm dhe prapëseprapë i shijon si nektar zemrës së lodhur—Jezusi u tundua ashtu si unë. Ju e keni dëgjuar këtë të vërtetë shumë herë; a e keni përvetësuar atë? Ai u tundua prej të njëjtave mëkate ku ne biem. Mos e veçoni Jezusin prej njerëzimit. Jeni duke kaluar përmes një vendi të errët, por Jezusi e kaloi përmes më përpara. Është një dyluftim i ashpër ai që ti po kryen, por Jezusi qëndroi ballë për ballë me të njëjtin armik. Le të gëzohemi, Krishti ka mbajtur barrën përpara nesh dhe gjurmët e përgjakura të Mbretit të lavdisë mund të shihen përgjatë rrugës që ne po kalojmë këtë orë. Ka diçka më të ëmbël akoma—Jezusi u tundua, por Jezusi nuk mëkatoi kurrë. Prandaj, shpirti im, nuk është e nevojshme për ty të mëkatosh, sepse Jezusi ishte një njeri dhe nëse një njeri duroi këto tundime dhe nuk mëkatoi, atëherë në fuqinë e tij gjymtyrët e tij mund të pushojnë prej së mëkatuari.
Disa fillestarë në jetën hyjnore mendojnë se ato nuk mund të tundohen pa mëkatuar, por e kanë gabim;nuk është mëkat të jesh i tunduar, por është mëkat t’i dorëzohesh tundimit. Këtu ka ngushëllim për të tunduarit rëndë. Ka akoma për t’i dhënë zemër atyre nëse ato sjellin ndërmend se Zoti Jezus, edhe pse i tunduar, triumfoi me lavdi dhe ashtu si Ai mposhti, po ashtu ndjekësit e tij do të bëjnë, sepse Jezusi është njeriu përfaqësues për popullin e Tij; Koka ka triumfuar dhe gjymtyrët marrin pjesë në fitore. Druajtjet janë të panevojshme, sepse Krishti është me ne, i armatosur për mbrojtjen tonë. Vendi ynë i sigurisë është kraharori i Shpëtimtarit. Ndoshta ne jemi të tunduar pikërisht tani, me qëllim që të sillemi më afër atij. E bekuar qoftë çdo erë që na shtyn në portin e dashurisë së Shpëtimtarit tonë! Lum ne për ato plagë që na bëjnë të kërkojmë Mjekun e dashur. Ju të tunduar, ejani të Shpëtimtari juaj i tunduar, sepse Ai mund të preket me ndjenjën e pafuqishmërisë tuaj dhe do të ndihmojë çdo të munduar dhe të tunduar.
4 tetor-mëngjes
“Por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.”
{Zakaria 14:7}
Shpesh ne shikojmë përpara me një parandjenjë të keqe në periudhën e moshës se vjetër, duke harruar se në mbrëmje do të ketë dritë. Për shumë shenjtorë, mosha e vjetër është periudha më e përzgjedhur në jetët e tyre. Një ajër më i shëndetshëm flladit faqen e marinarit tek i afrohet bregut të përjetësisë, më pak dallgë valëzojnë detin e tij, qetësia mbretëron, e thellë, pa zhurmë dhe solemne. Shkëndijat e zjarrit të rinisë nuk ngrihet më prej altarit të moshës, por ama mbetet flaka më reale e zellit të perëndishëm. Shtegtarët kanë arritur tokën e Beulës, atë vend të lumtur, ditët e së cilit janë si ditët e qiellit mbi tokë. Engjëjt e vizitojnë, erë qiellore fryn mbi të, lule parajse rriten mbi të dhe ajri është i mbushur me muzikë të serafinëve. Disa banojnë këtu për vite me radhë dhe të tjerë vijnë aty ca orë përpara largimit të tyre,por është një Eden mbi tokë. Le të presim për kohën kur do të shtrihemi në hijen e korijeve të tij dhe të jemi të kënaqur me shpresë derisa koha e fryteve të vijë.
Dielli që perëndon duket më i gjerë se sa kur është lart në qiell dhe një shkëlqim lavdie ngjyron të gjitha retë që rrethojnë zbritjen e tij. Dhembja nuk e thyen qetësinë e muzgut të ëmbël të moshës, sepse fuqia e përsosur në dobësi mban me durim. Frytet e pjekura të përjetimit të përzgjedhur janë mbledhur si ushqimi i përzgjedhur i mbrëmjes së jetës dhe shpirti e përgatit vetveten për çlodhje. Populli i Zotit do të gëzojë gjithashtu dritë në orën e vdekjes. Mosbesimi qahet; hija bie, nata po vjen, ekzistenca po mbaron. Ah jo, thërret besimi, nata po mbaron tashmë, dita e vërtetë është afër. Drita po vjen, drita e pavdekshmërisë, drita e pamjes së Atit. Mblidh këmbët në shtrat, shiko tufën e shpirtrave që presin! Engjëjt të largojnë në fluturim. Lamtumirë, i shumëdashur, ti po shkon, ti po tund dorën. Ah, tani është drita. Dyert prej perlash janë të hapura, rrugët e arta shkëlqejnë në dritën prej diaspri. Ne mbulojmë sytë tanë, por ti shikon të padukshmen; lamtumirë, vëlla, ti ke dritë në mbrëmje, që ne nuk e kemi ende.
4 tetor-mbrëmje
“Dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.”
{1 Gjoni 2:1}
“Dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat.” Po, edhe sikur të mëkatonim, e kemi Atë akoma. Gjoni nuk thotë, “po të bëj dikush mëkat ai e ka humbur avokatin e tij,” por “kemi një avokat,”edhe pse jemi mëkatarë. Të gjithë mëkatet që një besimtar ka kryer, ose që mund të lejohet të kryejë, nuk mund të shkatërrojnë pjesën e tij në Zotin Jezu Krisht, avokatin e tij. Emri i dhënë këtu Zotit është sugjestiv. ”Jezus.”Ah! atëherë Ai është një avokat ashtu si ne kemi nevojë, sepse Jezusi është emri i Dikujt që puna dhe kënaqësia është të shpëtojë. “Ata do t’i vënë emrin Jezus sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij prej mëkateve të tij.” Emri i Tij më i ëmbël nënkupton suksesin e Tij. Më pas, është “Jezu Krisht”—Kristos, i vajosuri. Kjo tregon autoritetin e Tij për të na marrë në mbrojtje. Krishti ka një të drejtë për të na mbrojtur, sepse Ai është avokati i caktuar prej vetë Atit dhe prifti i zgjedhur.
Nëse Ai do Të ishte zgjedhur prej nesh Ai mund të dështojë, por nëse Perëndia ka caktuar ndihmën në Dikë që është i fuqishëm, ne mund të çojmë me siguri telashet tona atje ku Perëndia ka caktuar ndihmën e Tij. Ai është Krishti dhe prandaj Ai ka autorizim; Ai është Krishti dhe prandaj është i kualifikuar, sepse vajosja e përgatiti plotësisht për veprën e Tij. Ai mund të ndërhyjë aq sa të prekë zemrën e Perëndisë dhe të fitojë. Çfarë fjalësh butësie, çfarë fjalish bindjeje do të përdorë i vajosuri ndërsa Ai qëndron lart për të na mbrojtur! Një tjetër pjesë e emrit të Tij mbetet,”Jezu Krishti, i drejti.” Ky nuk është vetëm karakteri i Tij, por mbrojtja e Tij. Është karakteri i Tij dhe nëse i Drejti mund të jetë avokati im, atëherë çështja ime është e mirë, ose përndryshe Ai nuk do ta kishte pranuar. Është mbrojtja e Tij, sepse Ai e përball akuzën e padrejtësisë kundra meje me mbrojtjen se Ai është i drejtë. Ai e deklaron vetveten zëvendësuesi im dhe e vë bindjen e Tij në llogarinë time. Shpirti im, ti ke një mik fort të përshtatshëm për të qenë avokati yt; Ai mund të ketë veçse sukses; braktise veten tërësisht në duart e Tij.
5 tetor-mëngjes
“Ai u ngrit,hëngri dhe piu;pastaj me forcën që i dha ai ushqim eci dyzet ditë dhe dyzet netë.”
{1 Mbretërve 19:8}
E gjitha forca e dhënë prej Perëndisë tonë të hirshëm është për shërbim dhe jo për kotësi ose mburrje. Kur profeti Elia gjeti kulaçin të pjekur mbi gur të nxehtë dhe enën e ujit pranë kokës së tij, teksa u shtri poshtë gjineshtrës, ai nuk u shpërblye me ushqim të përzgjedhur në mënyrë që të shtrihej në rehati; përkundrazi, iu dha urdhri të udhëtonte dyzet ditë dhe dyzet natë me forcën që mori, duke udhëtuar drejt Horebit, malit të Perëndisë. Kur Zoti ftoi dishepujt të “vinin të hanin mëngjes”me Të, mbasi festa kishte mbaruar Ai i tha Pjetrit, ”Kulloti delet e mia”; duke shtuar më pas, “më ndiq.” Kështu është dhe me ne; ne hamë bukën e qiellit, në mënyrë që të harxhojmë forcën tonë në shërbimin e Zotit. Ne vijmë te pashka dhe hamë prej qengjit të pashkës të ngjeshur dhe me bastun në dorë, në mënyrë që të rinisemi menjëherë mbasi jemi ngopur. Disa të krishterë janë për të jetuar me anë të Krishtit, por nuk janë dhe aq të merakosur sa të jetojnë për Krishtin.
Toka duhet të jetë një përgatitje për qiellin dhe qielli është vendi ku shenjtorët festojnë më shumë dhe punojnë më shumë. Ata ulen në tryezën e Zotit dhe i shërbejnë ditë dhe natë në tempullin e Tij. Ata hanë prej ushqimit qiellor dhe kryejnë shërbim të përkryer. Besimtar, në forcën që fiton ditë për ditë prej Krishtit, puno për Të. Disa nga ne kanë akoma shumë për të mësuar në lidhje me qëllimin e Zotit tonë në dhënien e hirit të Tij. Ne nuk duhet t’i mbajmë farat e çmueshme të së vërtetës ashtu si mumja egjiptiane mbajti kokrrat e grurit për kohëra të tëra pa i dhënë mundësinë të rriteshin; ne duhet të mbjellim dhe të ujisim. Pse vallë Zoti dërgon poshtë shiun mbi tokën e etur dhe jep rrezatimin e mrekullueshëm?A nuk është vallë që të mund të ndihmojë frytet e tokës të japin ushqim për njeriun? Po ashtu Zoti ushqen dhe freskon shpirtrat tona që ne të mund më pas të përdorim forcën tonë të ripërtëritur për ngritjen lart të lavdisë së Tij.
5 tetor-mbrëmje
“Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar.”
{Marku 16 :16}
Zoti Makdonald pyeti banorët e ishullit të Shën Kildës se si shpëtohet një njeri. Një i moshuar u përgjigj, “Ne do të shpëtohemi nëse pendohemi, braktisim mëkatet tona dhe kthehemi te Perëndia.” “Po,” tha një grua e pjekur, “dhe me një zemër të vërtetë gjithashtu.” “Po,” u bashkua një tjetër, “dhe me lutje”; dhe shtoi një e katërt, “duhet të jetë lutja e zemrës.” “Duhet që të jemi të zellshëm gjithashtu,” tha një i pestë, “në ruajtjen e urdhërimeve të Tij.” Kështu mbasi secili dha thërrmijën e tij, duke ndjerë se një kredo e denjë që ngritur, të gjithë shikuan dhe dëgjuan për miratimin e predikuesit, por nuk tërhoqën veçse keqardhjen e tij më të thellë. Mendja mishore gjithmonë harton për vetveten një rrugë në të cilën vetja mund të punojë dhe të bëhet e madhe, por udha e Zotit është e kundërta.
Të besosh dhe të jesh i pagëzuar nuk janë çështje merite për t’u lavdëruar mbi to—ato janë kaq të thjeshtë sa mburrja është e përjashtuar dhe është hiri falas ai që mban palmën lart. Mund të jetë që lexuesi është i pa shpëtuar—cila është arsyeja? A e sheh si të dyshimtë udhën e shpëtimit ashtu siç është parashtruar në tekst? Si mund të jetë vallë ashtu kur Perëndia është zotuar me vetë fjalën e Tij se është një gjë e sigurtë? A e mendon se është tepër e thjeshtë? Pse nuk e ndjek atëherë? Lehtësia e kësaj udhe i lë pa justifikim ata që e neglizhojnë atë. Të besosh është thjesht të kesh besim, të varesh, të mbështetesh mbi Krishtin Jezus. Të pagëzohesh është t’i nënshtrohesh urdhëresës që Zoti ynë përmbushi në Jordan, së cilës të kthyerit në besim iu nënshtruan në ditën e Rrëshajave, së cilës roja e burgut iu bind po atë natë të kthimit në besim të tij. Shenja e jashtme nuk shpëton, por na shpie në vdekjen,varrosjen dhe ringjalljen me Jezusin dhe ashtu si Darka e Zotit, nuk duhet lënë pas dore. Lexues, a beson në Jezus? Atëherë, mik i shtrenjtë, hidh poshtë frikën tënde, ti do të shpëtohesh. A je akoma një jobesimtar, atëherë kujto se ka veçse një derë dhe nëse nuk hyn nga ajo derë ti do të vdesësh në mëkatet e tua.
6 tetor-mëngjes
“Kush pi nga uji që do t`i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë.”
{Gjoni 4:14}
Ai që është besimtar në Jezus gjen mjaftueshëm në Zotin e tij për ta kënaqur atë tani dhe për ta kënaqur përherë e më shumë. Besimtari nuk është njeriu me ditë të lodhshme ngaqë i mungon ngushëllimi dhe me netë që u mungon mendimi i hareshëm i zemrës, sepse ai gjen në besim një shpërthim të tillë gëzimi, një burim të tillë ngushëllimi, sa është i kënaqur dhe i lumtur. Fute në një birucë dhe ai do të gjejë shoqëri të mirë; vendose në një shkretëtirë djerrë, ai do të hajë bukën e qiellit; largoje prej shoqërisë, ai do të takojë “një mik që është më i lidhur se një vëlla.” Hidh në erë të gjithë susakët e tij dhe ai do të gjejë hije nën Shkëmbin e Kohërave; shkatërro themelin e shpresave të tij tokësore, por zemra e tij do të jetë gjithmonë e qëndrueshme,duke besuar në Zotin. Zemra është po aq e pangopur sa varri derisa Jezusi hyn brenda saj dhe vetëm atëherë është si një kupë e mbushur që derdhet.
Ka një plotësi të tillë në Krisht sa Ai vetëm është gjithçkaja e besimtarit. Shenjtori i vërtetë është aq plotësisht i kënaqur me gjithëmjaftueshmërinë e Jezusit sa ai nuk ka më etje—përveç për gllënjka më të thella të burimit të gjallë. Në këtë mënyrë të ëmbël, besimtar, ti do të kesh etje; nuk do të ketë një etje e dhimbshme, por një etje e një dëshire të dashur; do të duket një gjë e ëmbël të gulçosh mbas një gëzimi më të plotë të dashurisë së Jezusit. Dikush shumë kohë më parë tha,”kam zhytur kovën poshtë në pus shpesh, por tani etja ime për Jezusin është bërë kaq e pangopur sa dëshiroj me zjarr të vë vetë pusin në buzët e mia dhe të pi menjëherë.”A është kjo ndjenja e zemrës tënde tani, besimtar? A e ndjen se të gjitha dëshirat e tua janë të kënaqura në Jezusin dhe se nuk ke dëshirë tani, përveçse ta njohësh Atë më shumë dhe të kesh një shoqërim më të ngushtë me Të?Atëherë eja vazhdimisht te burimi dhe merr prej ujit të jetës falas. Jezusi nuk do të mendojë kurrë se ti po merr me tepri, por do të të mirëpresë përherë, duke të thënë,”pi, po, pi me bollëk, o i dashur.”
6 tetor-mbrëmje
“Ai qe martuar me një grua etiopase.”
{Numrat 12 :1}
Zgjedhje e çuditshme e Moisiut, por sa më shumë e çuditshme zgjedhja e Atij që është profet si Moisiu dhe më i madh se ai! Zoti ynë që është i bukur si zambaku, është lidhur në bashkim martese me një që pohon se është e zezë, sepse dielli e ka djegur. Edhe engjëjt vetë habiten që dashuria e Jezusit të vendoset mbi njerëzit e shkretë, të humbur dhe fajtorë. Çdo besimtar, ndërsa është i mbushur me një ndijim të dashurisë së Jezusit, duhet të jetë i pllakosur prej habisë që një dashuri e tillë të mund të jepet pa kursim mbi dikë kaq të pavlerë sa ai. Duke ditur me të vërtetë dinakërinë tonë të fshehtë, mosbesnikërinë dhe zemrën e zezë, ne shkrihemi në admirim mirënjohës për të pakrahasueshmin hir falas dhe sovran. Jezusi duhet ta ketë gjetur shkakun e dashurisë së Tij në vetë zemrën e Tij; Ai nuk mund ta ketë gjetur brenda nesh, sepse nuk gjendet aty.
Edhe mbas kthimit tonë në besim ne kemi qenë të zinj, edhe pse hiri na ka bërë të hijshëm. Rutërfordi i shenjtë tha për vetveten atë që ne duhet ta pranojmë për veten tonë—”marrëdhënia e Tij me mua, është se unë jam i sëmurë dhe Ai është Mjeku për të cilin kam nevojë. Sa keq! sa shpesh që më mungon serioziteti me Krishtin! Ai lidh dhe unë zgjidh; Ai ndërton dhe unë hedh poshtë; zihem me Krishtin dhe Ai pajtohet me mua njëzet herë në ditë!” O Dhëndër kaq i butë dhe kaq besnik i shpirtrave tonë, vazhdo veprën Tënde të hirshme në përshtatjen tonë me imazhin Tënd, derisa të na paraqesësh edhe ne etiopianët e gjorë para Teje, pa njollë, ose rrudhë, ose ndonjë gjë të tillë. Moisiu hasi kundërshtim për shkak të martesës së tij dhe që të dy, ai dhe nusja e tij ishin pre e një syri dashakeqës. A habitemi nëse kjo botë e kotë kundërshton Jezusin dhe nusen e Tij dhe veçanërisht kur mëkatarë të mëdhenj kthehen në besim, sepse kjo është përherë themeli i kundërshtimit të farisenjve, “ky njeri pranon mëkatarët.” Akoma rigjallërohet shkaku i vjetër i zënkës, “Sepse ai qe martuar me një grua etiopase.”
7 tetor-mëngjes
“Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd?”
{Numrat 11:11}
Ati ynë qiellor na dërgon telashe të shpeshta për të vënë në provë besimin tonë. Nëse besimi ynë vlen diçka, ai do të përballojë sprovën. Ari nuk ka frikë zjarrin; guri i çmuar i vërtetë nuk druan testin. Është një besim i varfër ai që beson Perëndinë ndërsa miqtë dalin miq të vërtetë, trupi është plot me shëndet dhe biznesi ecën mirë, por është besim i vërtetë ai që mbahet te besnikëria e Zotit ndërsa miqtë largohen, ndërsa trupi është i sëmurë, ndërsa frymët janë të dëshpëruara dhe drita e pamjes së Atit tonë është e fshehur. Një besim që mund të thotë, në telashin më të tmerrshëm, “edhe sikur të më vriste, akoma do të besoj tek Ai,”është një besim i lindur prej qiellit.
Zoti pikëllon shërbëtorët e Tij për të lavdëruar veten e Tij, sepse Ai është shumë i lavdëruar në hiret e popullit të Tij,që janë veprat e duarve të Tij. Kur “shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën,”Zoti është i nderuar prej këtyre virtyteve rritëse. Ne nuk do ta njihnim kurrë muzikën e harpës nëse nuk do të nuk do të prekeshin telat;dhe as nuk do të gëzonim lëngun e rrushit nëse nuk do të shtypej në shtypësen e rrushit; as nuk do të zbulonim parfumin e ëmbël të kanellës nëse nuk do të shtypej dhe nuk do të rrihej; as nuk do ta ndjenim ngrohtësinë e zjarrit nëse qymyri nuk do të konsumohej tërësisht. Urtësia dhe fuqia e Punëtorit të madh zbulohen prej sprovave ku enët e tij të mëshirës lejohen të kalojnë. Dhimbjet e tanishme kanë prirje gjithashtu të shtojnë gëzimin e ardhshëm. Duhet të ketë hije në pikturë për të venë në dukje bukurinë e dritave. A do të kishim qenë kaq shumë të bekuar në parajsë nëse nuk do të kishim njohur mallkimin e mëkatit dhe trishtimin e botës? A nuk do të jetë paqja më e ëmbël mbas betejës dhe çlodhja më e mirëpritur mbas punës së rëndë?A nuk do të shtonte lumninë e të lavdëruarve kujtimi i vuajtjeve të kaluara? Ka shumë përgjigje të tjera ngushëlluese të pyetjes me të cilën hapëm përsiatjen tonë, le të mendojmë mbi të gjatë gjithë ditës.
7 tetor-mbrëmje
“Te kush ke besim ti?”
{Isaia 36:5}
Lexues, kjo është një pyetje e rëndësishme. Dëgjo përgjigjen e të krishterit dhe shiko nëse është e jotja. “Te kush ke besim?” “Besoj,” thotë i krishteri, “në një Perëndi trini. Besoj në Atin, duke besuar se Ai më ka zgjedhur mua para themelimit të botës; besoj në Të për të më furnizuar në provani, për të më mësuar, për të më udhëhequr, për të më ndrequr nëse është nevoja dhe për të më sjellë në vetë shtëpinë e Tij ku ka shumë dhoma. Besoj në Birin, Perëndia i vërtetë—njeriu Jezu Krisht. Besoj në Të për të fshirë të gjitha mëkatet e mia me anë të sakrificës së Tij dhe për të më zbukuruar mua me drejtësinë e Tij të përkryer. Besoj në Të se është Ndërmjetësi im, për t’i paraqitur lutjet e mia dhe dëshirat e mia përpara fronit të Atit të tij dhe besoj në Të se do të jetë Avokati im në të madhen ditë të fundit, për të mbrojtur çështjen time dhe për të më shfajësuar. Besoj në Të për atë që është, për atë që ka bërë dhe për atë që ka premtuar akoma të bëjë.
Besoj në Frymën e Shenjtë—Ai ka filluar të më shpëtojë prej mëkateve të mia të trashëguara; besoj në Të se do t’i flakë të gjithë mëkatet jashtë; besoj në Të për të përulur karakterin tim, për të nënshtruar vullnetin tim, për të ndriçuar kuptimin tim, për të kontrolluar pasionet e mia, për të ngushëlluar dëshpërimin tim, për të ndihmuar dobësinë time, për të ndriçuar errësirën time; besoj në Të për të banuar brenda meje si jeta ime, për të mbretëruar brenda meje si Mbreti im, për të më shenjtëruar të tërin, frymë, shpirt dhe trup dhe më pas për të më marrë lart të banoj me shenjtorët në dritë përherë.” Oh, besim i bekuar! Të besosh në Të, fuqia e të Cilit nuk do të shterohet kurrë, dashuria e të Cilit nuk do të fiket kurrë, butësia e të Cilit nuk do të ndryshojë kurrë, besnikëria e të Cilit nuk do të mungojë kurrë, urtësia e të Cilit nuk do të çoroditet kurrë dhe mirësia e përkryer e të Cilit nuk mund të njohë kurrë pakësim! I lumtur je ti, lexues, nëse ky besim është i yti! Duke besuar kështu, ti do të gëzosh paqe të ëmbël tani, më pas lavdi dhe themeli i besimit tënd nuk do të lëvizë kurrë.
8 tetor-mëngjes
“Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
{Lluka 5 :4}
Ne mësojmë nga ky tregim, nevojshmërinë e veprimit njerëzor. Peshkimi i peshqve ishte i mrekullueshëm, prapëseprapë as peshkatari as barka e tij, as veglat e tij të peshkimit nuk u lanë pas dorë, por të gjitha u përdorën për të zënë peshqit. Po ashtu në shpëtimin e shpirtrave, Perëndia vepron me anë mjetesh dhe ndërkohë që hiri i tanishëm mbetet, Perëndia do të kënaqet me anë të marrëzisë së predikimit të shpëtojë ata që besojnë. Kur Perëndia punon pa instrumente, pa dyshim që Ai është i lavdëruar, por Ai vetë ka përzgjedhur mjetet si planin me të cilin Ai madhërohet akoma më shumë. Mjetet në vetvete janë tërësisht të pavlera. “Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë.” Cila ishte arsyeja e kësaj? A nuk ishin ato peshkatarë që ushtronin zanatin e tyre? Me të vërtetë ata nuk kishin duar të pamësuara; ata e njihnin mirë punën. A e bënë vallë punën shkel e shko? Jo. A i mungoi puna vallë? Jo, ata punuan shumë. A i mungoi këmbëngulja? Jo, ata punuan gjithë natën. A mungonin peshqit në det? Sigurisht që jo, sepse sapo Zoti mbërriti, ato shkuan në rrjetë në tufa.
Çfarë është arsyeja atëherë? Është sepse nuk ka fuqi në mjetet e tyre larg pranisë së Jezusit ? “Pa Të në nuk mund të bëjmë asgjë.” Mirëpo me Krishtin ne mund të bëjmë të gjitha gjërat. Prania e Krishtit jep sukses. Jezusi u ul në barkën e Pjetrit dhe vullneti i Tij, me një ndikim misterioz, tërhoqi peshqit në rrjetë. Kur Jezusi ngrihet në një kishë, prania e Tij është fuqia e kishës—thirrja e një mbreti është në mes të saj. “Unë, kur të ngrihem lart, do të tërheq të gjithë njerëzit drejt meje.” Le të shkojmë jashtë këtë mëngjes në veprën tonë të peshkimit të shpirtrave, duke shikuar lart me besim dhe përreth nesh me një merak solemn. Le të punojmë derisa të bjerë muzgu dhe nuk do të punojmë më kot, sepse Ai që na urdhëron të lëshojmë poshtë rrjetën, do ta mbushi atë me peshq.
8 tetor-mbrëmje
“Duke u lutur në Frymën e Shenjtë.”
{Juda 1 :20}
Vini re karakteristikën e madhe të lutjes së vërtetë—”Me Frymën e Shenjtë.” Fara e përkushtimit të pranueshëm duhet të vijë prej depove të qiellit. Vetëm lutja që vjen prej Perëndisë mund të shkojë te Perëndia. Ne duhet t’i kthejmë shigjetat e Zotit tek Ai. Ajo dëshirë që Ai e shkruan mbi zemrat tona do të prekë zemrën e Tij dhe do të sjellë poshtë një bekim, por dëshirat e mishit nuk kanë fuqi me Të. Të lutesh me Frymën e Shenjtë do të thotë të lutesh me zjarr. Lutjet e ftohta i kërkojnë Zotit të mos t’i vërë veshin. Ata që nuk kërkojnë me zjarr, nuk kërkojnë hiç fare. Të flasësh për lutje të vakët është sikur të flasësh për zjarr të vakët—është shumë e rëndësishme që të jetë zjarr bubulak. Do të thotë të lutesh me këmbëngulje. Përgjëruesi i vërtetë mbledh forca teksa fillon dhe rritet më me shumë zjarr kur Perëndia vonohet të përgjigjet.
Aq më gjatë dera është e mbyllur, aq më me zjarr ai e përdor çekanin dhe aq më gjatë engjëlli qëndron aq më i vendosur është ai që të mos ta lërë të shkojë pa një bekim. Ajo që është e bukur në sytë e Perëndisë është këmbëngulje me lot, me agoni, e pamposhtur. Do të thotë të lutemi me përulësi, sepse Fryma e Shenjtë kurrë nuk na fryn me krenari. Është detyra e Tij të na bindi për mëkat dhe kështu të na përulë poshtë në trishtim dhe prekje shpirti. Ne nuk do të këndojmë kurrë Gloria in excelsis veçse nëse i lutemi Perëndisë de profundis; prej thellësirave ne duhet të thërrasim, ose përndryshe nuk do të shikojmë kurrë lavdi në pikën më të lartë. Do të thotë një lutje e dashur. Lutja duhet të parfumohet me dashuri, e ngopur me dashuri—dashuri për shenjtorët tanë dhe dashuri për Krishtin. Për më tepër duhet të jetë një lutje plot me besim. Një njeri ia del mbanë vetëm atëherë kur ai beson. Fryma e Shenjtë është autori i besimit dhe e forcon atë, kështu që ne lutemi duke besuar premtimin e Perëndisë. Oh që ky kombinim i bekuar hiresh të shkëlqyera i çmueshëm dhe i ëmbël erëzash të mund të jetë plot aromë brenda nesh sepse Fryma e Shenjtë është në zemrat tona! Ngushëllues shumë i bekuar, ushtro fuqinë Tënde mbi ne, duke na ndihmuar në lutje në dobësitë tona.
9 tetor-mëngjes
“Që mund t`ju ruajë nga çdo rrëzim.”
{Juda 1 :24}
Nga një anë udha për në qiell është shumë e sigurtë, por në anën tjetër nuk ka rrugë aq të vështirë. Është e mbushur me vështirësi. Një hap i gabuar (dhe sa e lehtë ta bësh atë hap nëse hiri mungon) dhe biem poshtë. Çfarë shtegu rrëshqitës është ai që disa nga ne kanë shkelur! Sa shumë herë duhet të thërrasim bashkë me Psalmistin, “Por, sa për mua, gati gati po me pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.” Nëse do të ishim të fortë, malësorë të fortë, kjo nuk do të kishte dhe aq shumë rëndësi, por në vetvete, sa të dobët jemi! Edhe në rrugët më të mira ne shpejt do të na merreshin këmbët, në shtigjet më të sheshta ne me shpejtësi pengohemi. Këta gjunjë të dobët me zor që mund të na mbajnë.
Një fije kashtë mund të na hedhë poshtë dhe një guralec mund të na plagosë; ne jemi thjesht fëmijë duke bërë hapat tona të para me luhatje në ecjen e besimit, Ati ynë qiellor na mban prej dore se përndryshe shpejt do të ishim poshtë. Oh, nëse jemi të ruajtur prej rrëzimit, sa shumë që duhet ta bekojmë fuqinë e duruar që na ruan ditë mbas dite! Mendo sa të prirur që jemi për të mëkatuar, sa të aftë për të zgjedhur rrezikun, sa e fortë prirja jonë të na lëshojë zemra dhe këto përsiatje do të na bëjnë të këndojmë më ëmbël se sa kemi bërë ndonjëherë, “Lavdi i qoftë Atij, që mund të na ruajë nga çdo rrëzim.” Ne kemi shumë armiq që kërkojnë të na shtyjnë poshtë. Rruga është e ashpër dhe ne jemi të dobët dhe për më tepër, armiqtë zënë pusi dhe dalin jashtë atëherë kur nuk e presim; ata punojnë të na zënë në gabim, ose ta na gremisin poshtë në honin më të afërt. Vetëm një krah i fuqishëm mund të na ruajë prej këtyre armiqsh të padukshëm, që po përpiqen të na shkatërrojnë. Një krah i tillë është i hedhur në betejë për mbrojtjen tonë. Besnik është Ai që ka premtuar dhe Ai është i aftë të na ruajë nga çdo rrëzim, kështu që me një ndijim të thellë të dobësisë sonë të plotë, ne mund të gëzojmë një besim të fortë në sigurinë tonë të përkryer dhe të themi, me një mirëbesim të gëzueshëm, Kundër meje toka dhe ferri të bashkuara, Por në anën time është fuqia hyjnore; Jezusi është gjithçka dhe Ai është imi!
9 tetor-mbrëmje
“Por ai nuk iu përgjigj fare.”
{Mateu 15:23}
Kërkuesit e vërtetë që deri tani nuk kanë fituar bekimin, mund të ngushëllohen prej historisë përpara nesh. Shpëtimtari nuk e dha menjëherë bekimin edhe pse gruaja pati besim të madh në Të. Ai kishte ndërmend ta jepte atë, por priti ndërkohë.”Por ai nuk iu përgjigj fare.” A nuk ishin lutjet e saja të mira? Tejet të mira. A nuk ishte ajo në nevojë? Në nevojë dhe për të ardhur keq. A nuk e ndjente nevojën e saj mjaftueshëm? Ajo e ndjeu atë si një peshë shtypëse. A nuk ishte e zellshme aq sa duhet?Ajo ishte tepër e zellshme. A nuk pati besim?Ajo pati një shkallë aq të lartë besimi sa edhe Jezusi u çudit dhe tha,”O grua, i madh është besimi yt.” Shiko atëherë, edhe pse është e vërtetë se besimi sjell paqe,prapëseprapë nuk e sjell atë në një çast. Mund të ketë disa arsye për vënien në provë të besimit se sa për shpërblimin e besimit. Besimi autentik mund të jetë në shpirt si një farë e fshehur, por deri tani mund të mos ketë çelur dhe lulëzuar në gëzim dhe paqe. Një heshtje e dhimbshme prej Shpëtimtarit është sprova e dhimbshme për shumë shpirtra kërkues, por akoma më e rëndë është dhembja prej një përgjigje të ashpër e të prerë si kjo, “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ia hedhësh qenve.”
Shumë ndërsa presin Zotin gjejnë kënaqësi të menjëhershme, por ky nuk është rasti me të gjithë. Disa, ashtu si roja e burgut, kthehen në një çast prej errësirës në dritë, por të tjerë janë bimë me një rritje më të ngadalshme. Një ndijim më i thellë mëkati mund t’ju jepet në vend të ndijimit të faljes dhe në një rast të tillë ju do të keni nevojë për durim për t’i bërë ballë goditjes së rëndë. Ah! zemër e gjore, edhe sikur Krishti të të rrahë dhe të të dërrmojë, ose edhe sikur të të vriste, beso te Ai; edhe sikur të të jepte një fjalë të zemëruar, beso në dashurinë e zemrës së Tij. Të përgjërohem mos hiq dorë të kërkosh ose të besosh Zotin tënd, sepse nuk ke arritur akoma gëzimin e ndërgjegjshëm të cilin ti e dëshiron me zjarr. Braktisja veten Atij dhe varu te Ai me këmbëngulje edhe atëherë kur nuk mund të shpresosh me gëzim.
10 tetor-mëngjes
“Para lavdisë së Tij të paqortueshëm.”
{Juda 1 :24}
Rrotullo në mendjen tënde atë fjalë të mrekullueshme, “të paqortueshëm!” Ne jemi larg saj tani, por përderisa Zoti ynë kurrë nuk dështon në përkryerjen e veprës së Tij të dashurisë, ne do ta arrijmë atë një ditë. Shpëtimtari që do të ruajë popullin e Tij deri në fund, do t’i paraqesë gjithashtu para vetvetes, si “një kishë e të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por e shenjtë dhe e paqortueshme.” Të gjithë margaritarët në kurorën e Shpëtimtarit janë të cilësisë së parë dhe pa as dhe një cen. Të gjitha vajzat shoqëruese që kujdesen për gruan e Qengjit janë virgjëresha të pastra pa njollë ose rrudhë. Mirëpo si do të na bëjë Jezusi të paqortueshëm? Ai do të na lajë prej mëkateve tona në vetë gjakun e Tij derisa të jemi të bardhë dhe të pastër ashtu si engjëjt më të pastër të Perëndisë; dhe ne do të vishemi në drejtësinë e Tij, ajo drejtësi që e bën shenjtorin që e vesh atë realisht të paqortueshëm; po, të përkryer në sytë e Perëndisë. Ne do të jemi të paqortueshëm dhe të pakritikueshëm para Tij.
Ligji i Tij jo vetëm që nuk do të ketë ndonjë akuzë kundër nesh, por do të madhërohet brenda nesh. Për më tepër,vepra e Frymës së Shenjtë përbrenda nesh do të jetë gjithashtu e plotë. Ai do të na bëjë përkryershmërisht të shenjtë, që të mos kemi prirje të zgjatur për mëkat. Gjykimi, memoria, vullneti—çdo fuqi dhe pasion do të çlirohet prej robërisë së të ligës. Ne do të jemi të shenjtë ashtu si Perëndia është i shenjtë dhe ne do të banojmë përherë në praninë e Tij. Shenjtorët nuk do të jenë të tepërt në qiell, bukuria e tyre do të jetë po aq e madhe sa vendi i përgatitur për to. Oh hareja e asaj ore kur dyert e përjetshme do të ngrihen lart dhe ne, të përgatitur për trashëgimin, do të banojmë me shenjtorët në dritë. Mëkati i larguar, satani i burgosur, tundimi i kaluar përjetë dhe ne vetë “të paqortueshëm” përpara Perëndisë, kjo do të jetë parajsa me të vërtetë! Le të jemi të gëzuar tani teksa përsërisim këngën e lavdisë së përjetshme së shpejti për t’u bashkuar në një kor me të gjithë ushtrinë e larë prej gjakut; le të kopjojmë haretë e Davidit përpara arkës si një prelud i hareve tona përpara fronit.
10 tetor-mbrëmje
“Do të të çliroj nga duart e njerëzve të këqij dhe do të të shpengoj nga duart e njerëzve të dhunshëm.”
{Jeremia 15 :21}
Vini re individualitetin e lavdishëm të premtimit. Unë do të, Unë do të, Vetë Zoti I Përjetshmi ndërhyn për të shpëtuar dhe shpenguar popullin e Tij. Ai zotohet vetë personalisht për t’i ndihmuar ata. Vetë krahu i Tij do ta bëjë, në mënyrë që Ai të ketë lavdinë. Këtu nuk ka as dhe një fjalë të thënë në lidhje me ndonjë përpjekje tonën që mund të nevojitet për të ndihmuar Zotin. As forca jonë as dobësia jonë nuk janë marrë në llogari, por vetëm Unë, ashtu si dielli në qiej, ndriçon në të gjithë mjaftueshmërinë e tij. Pse i llogarisim atëherë forcat tona dhe këshillohemi me mishin dhe gjakun në lidhje me plagën tonë të dhembshme? I Përjetshmi ka fuqi mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për ndihmën e ndonjë krahu imcak. Paqe, ju mendime mosbesuese, jini të qeta dhe ta dini se Zoti mbretëron. As ka aty ndonjë aluzion në lidhje me mjete dhe shkaqe dytësore. Zoti nuk tha asgjë për miqtë dhe ndihmuesit; Ai e merr vet punën në dorë dhe nuk ka nevojë për krahët njerëzorë ta ndihmojnë.
Të kota janë shikimet tona përreth miqve tanë dhe të afërmve tanë; janë kallama të thyer nëse mbështetemi mbi ta—shpesh të pavullnetshëm kur munden të ndihmojnë, dhe pasur mundësi të ndihmojnë kur janë të vullnetshëm. Përderisa premtimi vjen vetëm prej Perëndisë, do të jetë mirë të presim vetëm Atë dhe kur bëjmë kështu, pritja jonë kurrë nuk dështon. Kush janë vallë të këqijtë që duhet t’i kemi frikë? Zoti do t’i konsumojë tërësisht; ata janë për të ardhur keq se sa për t’u pasur frikë. Për sa i përket njerëzve të tmerrshëm, ata janë vetëm tmerre për ata që nuk kanë Perëndi ku të shkojnë, sepse kur Zoti është në krahun tonë, kë do të kemi frikë? Nëse ne vrapojmë në mëkat për të kënaqur të ligun, ne kemi arsye për tu alarmuar, por nëse e mbajmë fort ndershmërinë tonë, zemërimi i tiranëve do të mposhtet për të mirën tonë. Kur peshku gëlltiti Joelin, iu duk një copë që nuk mund ta treste dot; dhe kur bota gllabëron kishën, është e gëzuar ta heqë qafe atë përsëri. Në çdo kohë kur kalojmë një sprovë të zjarrtë, le të zotërojmë shpirtrat tanë në durim.
11 tetor-mëngjes
“Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë së qiejve.”
{Vajtimet 3 :41}
Akti i lutjes na mëson mbi padenjësinë tonë, gjë që është një mësim shumë shpëtimtar për qenie aq krenare sa ne. Nëse Perëndia na jep favore pa na shtyrë për t’u lutur për to, ne nuk do të njohim kurrë sa të varfër jemi, por një lutje e vërtetë është një shpikëse dëshirash, një katalog nevojash, një zbulesë e një varfërie të fshehur. Ndërsa është një kërkesë për pasurinë hyjnore, është një rrëfim i zbrazëtisë njerëzore. Gjendja më e shëndetshme e një të krishteri është të jetë gjithmonë i zbrazët në vetvete dhe duke u varur vazhdimisht mbi Zotin për furnizime; të jetë gjithmonë i varfër në vetvete dhe i pasur në Jezusin; shumë i dobët personalisht, por i fuqishëm përmes Perëndisë për të bërë bëma të mëdha; dhe prandaj përdorimi i lutjes, sepse ndërsa adhuron Perëndinë, e shtrin krijesën atje ku duhet të jetë, në pluhur.
Lutja është në vetvete, duke e veçuar prej përgjigjes që merr, një përfitim i madh për të krishterin. Ashtu si vrapuesi fiton forcë për garën me ushtrim të përditshëm, po ashtu për garën e madhe të jetës ne fitojmë energji me punën e shenjtë të lutjes. Lutja vesh me pendë krahët e zogjve të shqiponjës të Perëndisë, që të mësojnë të ngjitën sipër reve. Lutja ngjesh ijët e luftëtarëve të Perëndisë dhe i dërgon në betejë me dellet e tyre të përforcuara dhe muskujt e tyre të patundur. Një lutës këmbëngulës del prej kthinës se tij, ashtu si dielli ngrihet prej dhomave të lindjes, duke u gëzuar si një burrë i fortë që është gati për garën para tij. Lutja është ajo dora e ngritur e Moisiut që shpartallon amalekitët më shumë se shpata e Jozueut; është shigjeta e lëshuar prej dhomës së profetit që parashikonte disfatë për sirianët. Lutja ngjesh dobësinë njerëzore me fuqi hyjnore, kthen çmendurinë njerëzore në urtësi qiellore dhe i jep vdekatarëve të trazuar paqen e Perëndisë. Ne nuk e dimë se çfarë mund të bëjë lutja! Ne të falënderojmë ty Perëndi i madh për fronin e mëshirës, një provë e zgjedhur e dashamirësisë tënde të mrekullueshme. Na ndihmo ta përdorim drejt përgjatë kësaj ditë!
11 tetor-mbrëmje
“Dhe ata që Ai i paracaktoi edhe i thirri.”
{Romakëve 8:30}
Në letrën e dytë drejtuar Timoteut, kapitulli i parë dhe vargu i nëntë, janë këto fjalë—”që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë.” Tani, këtu është një gur kyç me anë të cilit ne mund të provojmë thirrjen tonë. Është “një thirrje e shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit.” Kjo thirrje ndalon çdo besim në vetë veprat tona dhe na udhëheq vetëm te Krishti për shpëtim, por më pas na pastron prej veprave të vdekura për të shërbyer Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë. Ashtu siç Ai që ju ka thirrur është i shenjtë,po ashtu ju duhet të jeni të shenjtë.
Nëse ju po jetoni në mëkat, ju nuk jeni të thirrur, por nëse jeni me të vërtetë të Krishtit, ju mund të thoni,”Asgjë nuk më dhemb aq shumë sa mëkati; dëshiroj që ta heq qafe; Zot, më ndihmo që të jem i shenjtë.” A është ky gulçimi i zemrës tënde? A është ky thelbi i jetës tënde kundrejt Perëndisë dhe vullnetit të Tij hyjnor? Përsëri, te filipianët 3:13,14, na flitet për “thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.” A është pra thirrja jote një thirrje e lartme? A ka fisnikëruar zemrën tënde dhe a ka vënë aty gjëra qiellore? A ka ngritur shpresat e tua, shijet e tua, dëshirat e tua? A ka lartësuar rrjedhën e vazhdueshme të jetës tënde, në mënyrë të tillë që ti e shpenzon atë me Perëndinë dhe për Perëndinë? Një tjetër test e gjejmë te hebrenjtë 3:1—”pjesëtarë të thirrjes qiellore.” Thirrje qiellore do të thotë një thirrje prej qiellit. Nëse je thirrur nga njeriu, ti je i pa thirrur. A është thirrja jote prej Perëndisë?A është një thirrje për në qiell po ashtu si një thirrje prej qiellit? Nëse nuk je një i huaj këtu dhe qielli nuk është shtëpia jote, ti nuk je i thërritur me një thirrje hyjnore, sepse ata që janë thërritur kështu, shpallin se presin të shohin qytetin me themele të sigurta, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Perëndia dhe ata vetë janë të huaj dhe shtegtarë mbi tokë. A është thirrja jotë e tillë, e shenjtë, qiellore, hyjnore? Atëherë, i shumëdashur, ti je i thërritur prej Perëndisë, sepse e tillë është thirrja me të cilën Perëndia thërret popullin e Tij.
12 tetor-mëngjes
“Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua.”
{Psalmi 119:15}
Ka periudha kur vetmia është më e mirë se sa shoqëria dhe heshtja më e urtë se sa fjalimi. Ne do të ishim të krishterë më të mirë nëse do të ishim më shumë kohë vetëm, duke pritur për Perëndinë dhe duke mbledhur me anë të përsiatjes mbi Fjalën e tij forcë shpirtërore për punë në shërbimin e Tij. Ne duhet të mendojmë mbi gjërat e Perëndisë sepse kështu ne marrim ushqimin e vërtetë prej tyre. E vërteta është si vilet e rrushit; nëse do të donim të kishim verë prej tyre, ne duhet t’i shtypim, t’i ngjeshim dhe t’i shtrydhim shumë herë. Këmba duhet të ulet me gëzim mbi vilet përndryshe lëngu nuk do të rrjedhë; dhe cepat duhet të shtypen mirë ose përndryshe shumë prej lëngut të çmuar do të humbasë. Po ashtu dhe ne, me anë përsiatjes, duhet të shkelim vilet e së vërtetës, nëse do të donim të nxjerrim prej tyre verën e ngushëllimit.
Trupat tanë nuk mbahen vetëm duke marrë thjesht ushqim në gojë, por procesi që me të vërtetë furnizon muskulin, nervin, dellin dhe kockën është procesi i tretjes. Është me anë të tretjes që ushqimi i jashtëm bëhet njësh me jetën e brendshme. Shpirtrat tanë nuk ushqehen thjesht duke dëgjuar pak këtë dhe më pas atë dhe më pas pjesën tjetër të së vërtetës hyjnore. Të dëgjosh, të lexosh, të shënosh dhe të mësosh, të gjitha kërkojnë tretje të brendshme për të përmbushur dobishmërinë e tyre dhe tretja e brendshme e të vërtetës qëndron në pjesën më të madhe në përsiatjen mbi të. Pse ndodh vallë se disa të krishterë, edhe pse dëgjojnë shumë predikime, nuk bëjnë veçse përparime të ngadalta në jetën hyjnore? Sepse ata e neglizhojnë kthinën e tyre dhe nuk mendojnë aq sa duhet mbi Fjalën e Perëndisë. Ata e duan miellin po nuk e kalojnë në sitë atë; ata do të donin të kenë grurin, por nuk shkojnë në fusha për ta mbledhur atë; fryti varet mbi degë, por ata nuk duan ta këpusin atë; uji rrjedh në këmbët e tyre, por ata nuk duan të përkulen për ta pirë atë. Prej një çmendurie të tillë na shpëto o Zot dhe të jetë ky vendimi ynë këtë mëngjes, “Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua.”
12 tetor-mbrëmje
“Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë.”
{Gjoni 14:26}
Kjo kohë është koha e veçantë e hirdhënies së Frymës së Shenjtë, ndërsa Jezusi na gëzon, jo me praninë e Tij personale, ashtu si do ta bëjë në përmbushjen e kohërave, por me banimin përbrenda dhe qëndrimin e vazhdueshëm të Frymës se Shenjtë, që është gjithmonë Ngushëlluesi i Kishës. Është detyra e Tij të ngushëllojë zemrat e fëmijëve të Perëndisë. Ai na bind për mëkat; Ai ndriçon dhe mëson, por akoma pjesa kryesore e veprës së Tij qëndron te hareja që i sjell zemrave të ripërtëriturve, në forcimin e të dobëtit dhe në ngritjen e atyre të gjithëve që janë të përkulur. Ai e bën këtë duke i zbuluar Jezusin atyre. Fryma e Shenjtë ngushëllon, por Krishti është ngushëllimi. Nëse mund të përdorim këtë imazh, Fryma e Shenjtë është Mjeku, por Jezusi është mjekimi. Ai shëron plagën, por e bën këtë duke përdorur vajosjen e shenjtë të emrit dhe hirit të Krishtit. Ai nuk merr nga gjërat e veta, por merr nga gjërat e Krishtit. Kështu që nëse i japim Frymës së Shenjtë emrin në greqisht Paraclete, ashtu siç bëjmë ndonjëherë, atëherë zemra jonë i jep Zotit tonë të bekuar Jezus titullin Paraclesis. Nëse i pari është Ngushëlluesi, tjetri është Ngushëllimi.
Tani, me të tilla furnizime për nevojat e tij, pse duhet që i krishteri të jetë i trishtueshëm dhe i pikëlluar? Fryma e Shenjtë është mobilizuar me hir për të qenë Ngushëlluesi yt; a ta merr mendja, o ti besimtar i dobët dhe i dridhur, se Ai do të jetë neglizhues i përgjegjësisë së Tij të shenjtë?A ta merr mendja se Ai ka ndërmarrë atë që nuk mund ose nuk do të kryejë? Nëse është vepra e Tij e posaçme të të forcojë dhe të të ngushëllojë, a ta merr mendja se Ai ka harruar punën e Tij, apo se Ai do të dështojë në detyrën e shumëdashur që ka kundrejt teje? Jo, mos mendo kaq ashpër mbi Frymën e bekuar dhe të butë që e ka emrin “Ngushëlluesi.”Ai kënaqet t’i japë vajtimit vajin e gëzimit dhe plogështisë petkun e lavdisë. Beso në Të dhe Ai me siguri që do të të ngushëllojë derisa shtëpia e vajtimit të mbyllet përgjithmonë dhe gostia e martesës të ketë filluar.
13 tetor-mëngjes
“Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim.”
{2 Korintasve 7:10}
Vajtimi autentik shpirtëror për shkak të mëkatit është vepra e Frymës së Perëndisë. Pendimi është një lule tepër e përzgjedhur për t’u rritur në kopshtin e natyrës njerëzore. Perlat rriten natyrshëm në stridhe, por pendimi nuk e tregon kurrë veten te mëkatarët përveçse kur hiri hyjnor e jetëson atë. Nëse ke një grimcë urrejtje të vërtetë për mëkatin, Perëndia duhet medoemos të ta ketë dhënë, sepse ferrat e natyrës njerëzore nuk prodhuan kurrë as dhe një fik të vetëm. “Ç`ka lindur nga mishi është mish.” Pendimi i vërtetë nxjerr në pah Shpëtimtarin në mënyrë të dallueshme. Kur pendohemi për mëkatin, ne duhet të kemi një sy te mëkati dhe një tjetër te kryqi, ose do të ishte akoma më mirë nëse do të ngulisim të dy sytë te Krishti dhe t’i shikojmë shkeljet tona vetëm nën dritën e dashurisë së Tij.
Trishtimi i vërtetë për shkak të mëkatit është tepër praktik. Asnjë njeri nuk mund të thotë se ai e urren mëkatin nëse ai jeton në të. Pendimi na bën që të shikojmë të ligën e mëkatit, jo thjesht si teori, por me përjetim—ashtu si një fëmijë i djegur ka tmerr zjarrin. Ne duhet ta kemi po aq frikë sa një njeri që nuk ka shumë kohë që e kanë zhvatur në rrugë ka frikë prej hajdutit në rrugën kryesore; dhe ne duhet ta mënjanojmë atë—ta mënjanojmë në gjithçka—jo vetëm në gjërat e mëdha,por në gjërat e vogla, po ashtu si njerëzit i largohen nepërkave të vogla po ashtu si gjarpërinjve të mëdhenj. Vajtimi i vërtetë për shkak të mëkatit na bën shumë xheloz për gjuhën tonë, se mos shpreh ndonjë fjalë të gabuar; ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për veprimet tona të përditshme, se mos fyejmë në ndonjë gjë; çdo natë ne duhet të mbyllim ditën me rrëfime të dhimbshme të dështimeve dhe çdo mëngjes duhet të zgjohemi me lutje të ethshme, në mënyrë që këtë ditë Perëndia të na mbajë lart që të mos të mëkatojmë kundër Tij. Pendimi i sinqertë është i vazhdueshëm. Besimtarët pendohen deri në ditën e tyre të fundit. Ky burim nuk resht të rrjedhë. Çdo trishtim tjetër kalon me kohën, por ky trishtim i shtrenjtë rritet sa më shumë që ne rritemi dhe është një hidhërim aq i ëmbël sa falënderojmë Perëndinë që na është dhënë ta përjetojmë derisa të hyjmë në prehjen tonë të përjetshme.
13 tetor-mbrëmje
“Dashuria është e fortë si vdekja.”
{Kantiku i kantikëve 8 :6}
Cila dashuri mund të jetë po aq e fuqishme sa ngadhënjyesi i monarkëve, shkatërruesi i racës njerëzore? A nuk do të tingëllonte si qesharake nëse do të flitej kështu për dashurinë time të varfër, të dobët dhe të mekët për Jezusin Zotin tim? Unë e dua me të vërtetë Atë dhe ndoshta me anë të hirit të Tij unë edhe do të mund të vdisja për Të, por sa për dashurinë time në vetvete, zor se do të duronte edhe një tallje, e aq më pak një vdekje mizore. Me siguri është dashuria e Shumëtëdashurit tim për të cilën flitet këtu—dashuria e Jezusit, dashuruesi i pashoq i shpirtrave. Dashuria e Tij ishte me të vërtetë më e fortë se sa vdekja më e tmerrshme, sepse ajo duroi triumfalisht sprovën e kryqit.
Ishte një vdekje e ngadalshme, por dashuria e përballoi vuajtjen; një vdekje e turpshme, por dashuria e përçmon turpin; një vdekje penale, por dashuria mbajti padrejtësitë tona; një vdekje e braktisur, vdekje e vetmuar, prej së cilës Ati i përjetshëm fshehu fytyrën e Tij, por dashuria e duroi mallkimin dhe u përlëvdua mbi gjithçka. Kurrë më një dashuri e tillë, kurrë më një vdekje e tillë. Ishte një duel i dëshpëruar, por dashuria mbajti palmën. Çfarë atëherë zemra ime? A nuk gjallërohen ndjenjat brenda teje ndërsa vështron një zemërdashuri të tillë hyjnore? Po, Zoti im, dëshiroj me zjarr, gulçoj të ndjej dashurinë tënde të ndizet si një furrë brenda meje. Eja Ti vetë dhe stimulo zjarrin e frymës sime.
Për çdo pikë gjaku të kuq
I derdhur kështu për të më dhënë jetë,
O përse,përse nuk kam
Një mijë jetë për të dhënë?
Pse duhet të përpiqem me çdo kusht për ta dashur Jezusin me një dashuri po aq të fortë sa vdekja? Ai e meriton atë; e dëshiroj atë. Martirët ndjenë një dashuri të tillë dhe ata nuk ishin veçse mish dhe gjak, atëherë pse jo unë? Ata mbajtën zi për dobësinë e tyre dhe prapëseprapë prej dobësisë ata u bënë të fortë. Hiri i dha atyre të gjithë qëndrueshmërinë e tyre të patundur—ka të njëjtin hir për mua. Jezus, dashuruesi i shpirtit tim, shfaq atë dashuri të tillë, madje dashurinë Tënde në zemrën time,këtë mbrëmje.
14 tetor-mëngjes
“Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit.”
{Filipianët 3 :8}
Njohuria shpirtërore e Krishtit është një njohuri personale. Nuk mund ta njoh Jezusin ngaqë ndonjë miku im e njeh Atë. Jo, duhet ta njoh vetë personalisht; duhet ta njoh për llogarinë time. Është një njohuri inteligjente—duhet ta njoh Atë, jo siç e përfytyroj unë, por ashtu si Fjala ma zbulon. Duhet të njoh natyrat e Tij, atë hyjnore dhe atë njerëzore. Duhet të njoh ofiqet e Tij—atributet e Tij—veprat e Tij—turpin e Tij—lavdinë e Tij. Duhet të përsiat mbi Të deri sa “të kuptoj me të gjithë shenjtorët cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njoh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri.” Është një njohuri plot dashuri; nëse e njoh me të vërtetë, duhet ta dua Atë. Një gram njohuri zemre vlen sa një ton mësim mendjeje. Njohuria jonë për Të është një njohuri e kënaqshme. Ndërsa njoh Shpëtimtarin tim, mendja ime është plot e përplot—do të ndjej se kam atë për të cilin shpirti imi gulçonte. “Kjo është buka që nëse njeri han prej saj nuk do të ketë më kurrë uri.”
Në të njëjtën kohë është një njohuri nxitëse; aq më tepër njoh për të Shumëtëdashurin tim, aq më shumë dua të njoh. Aq më lart ngjitem aq më të ngritura do të jenë majat e reja që shfaqen para hapave të mia të zellshme. Aq më shumë marr aq më shumë do të dua. Ashtu si thesari i kurnacit, ari im do të më bëjë të lakmoj më shumë. Së fundi, kjo njohuri e Krishtit Jezus është njohuri tejet fatlume; në fakt, është njohuri kaq lartësuese, sa herë pas here do të më ngrejë mbi të gjitha sprovat, dyshimet dhe trishtimet; dhe ndërsa e gëzoj ajo do të më kthejë në diçka më shumë se “njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime;” sepse do të më rrethojë me pavdekësinë e Shpëtimtarit që jeton përherë dhe do të më ngjeshë me brezin e artë të gëzimit të Tij të përjetshëm. Eja, shpirti im, ulu në këmbët e Jezusit dhe mëso prej Tij këtë ditë.
14 tetor-mbrëmje
“Dhe mos u konformoni me këtë botë.”
{Romakëve 12 :2}
Nëse një i krishterë mund të shpëtohej ndërsa do të konformohej me këtë botë, sido që të jetë do të ishte si përmes zjarrit. Një shpëtim i tillë elementar është për t’u pasur frikë po aq sa për t’u dëshiruar. Lexues a do të doje të lësh këtë botë në errësirën e një shtrati vdekje dëshpërues dhe të hysh në parajsë si një marinar i mbijetuar nga anija e mbytur duke ngjitur shkëmbinjtë e tokës së tij? Atëherë sillu si njerëzit e botës; përzihu me mamonitët dhe refuzo të shkosh jashtë kampit duke mbajtur turpin e Krishtit. Mirëpo a do të doje të kishe një parajsë poshtë po ashtu si edhe një parajsë lart ?A do të doje të kuptoje me të gjithë shenjtorët cilat janë lartësitë dhe thellësitë dhe të njohësh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri? A do të doje të fitoje një hyrje të bollshme në gëzimin e Zotit tënd? Atëherë largohu dhe ndahu prej atyre dhe mos prek gjërat e papastra. A do të doje të arrije sigurinë e plotë të besimit? Ti nuk mund ta fitosh atë ndërsa shoqërohesh me mëkatarët.
A do të doje të ndizeshe me dashuri të zjarrtë? Dashuria jote do të ftohej prej rrebeshit të shoqërisë së papërshpirtshme. Ti nuk mund të bëhesh një i krishterë i madh—ti mund të jesh një foshnje në hir, por nuk mund të jesh kurrë një njeri i përkryer në Krishtin Jezus ndërsa dëgjon urtësinë e botës dhe punon sipas njerëzve të botës. Është me të vërtetë e pashëndetshme për një trashëgimtar të qiellit të jetë mik i mirë me trashëgimtarët e ferrit. Nuk ka hije kur një oborrtar është shumë i lidhur ngushtë me armiqtë e mbretit të tij. Edhe mospërputhjet e vogla janë të rrezikshme. Gjembat e vegjël bëjnë buhavitje të mëdha, tenja e vogël shkatërron petkun e hijshëm dhe mendjelehtësi të vogla dhe të padrejtësi të vogla i rrëmbejnë besimit një mijë gëzime. O i ashtuquajtur besimtar, kaq pak i ndarë prej mëkatarëve, nuk e di se çfarë humb me përputhjen tënde me botën. Të pret dellin e forcës tënde dhe të bën të zvarritesh atëherë kur duhesh të vraposh. Atëherë për hir të vetë ngushëllimit tënd dhe për hir të rritjes tënde në hir, nëse je një i krishterë, ji i tillë, një i krishterë që dallon nga bota.
15 tetor-mëngjes
“Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së Tij?”
{Malakia 3 :2}
Ardhja e Tij e parë ishte pa pompozitet të jashtëm ose shfaqje fuqie dhe prapëseprapë në të vërtetë ishin pak ata që mund të duronin fuqinë e Tij e vënies në provë. Herodi dhe i gjithë Jeruzalemi bashkë me të ishin të trazuar prej lajmit të lindjes së Tij të mrekullueshme. Ata që mendonin se po prisnin për Të, treguan falsitetin e pretendimeve të tyre duke e hedhur poshtë ndërsa Ai erdhi në botë. Jeta e tij mbi tokë ishte një shoshë filtruese e cila vuri në provë morinë e pretendimeve fetare dhe shumë pak mundën ta duronin procesin. Por çfarë do të jetë ardhja e tij e dytë? Cili mëkatar mund të durojë tek mendon për ardhjen e dytë? “Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së Tij dhe me frymën e buzëve të Tij do ta bëjë të vdesë të pabesin.” Kur në përuljen e Tij, Ai i tha ushtarëve, “unë jam ai,” ata ranë mbrapa; Çfarë do të jetë terrori i armiqve të Tij kur Ai do ta zbulojë veten e Tij më plotësisht si “Unë Jam-i?”
Vdekja e tij tundi tokën dhe errësoi qiellin, çfarë do të jetë vallë shkëlqimi i tmerrshëm i asaj dite në të cilën si Shpëtimtari i gjallë, Ai do të thërrasë të gjallin dhe të vdekurin përpara Tij? Oh tmerri i Zotit bindtë njerëzit për të braktisur mëkatet e tyre dhe të puthin Birin që Ai të mos të jetë i zemëruar! Edhe pse një qengj, Ai është akoma luani i fisit të Judës, që e bën copa copa prenë e Tij; dhe edhe pse nuk e shkërmoq kallamin e thyer, prapëseprapë Ai do të thyejë armiqtë e Tij me një shufër hekuri dhe do t’i bëjë copa copa si një enë poçari. Askush prej armiqve të Tij nuk do të durojë përpara stuhisë së zemërimit të Tij, nuk do të shpëtojë prej rrebeshit të papërmbajtshëm të zemërimit të Tij, por gjaku i tij dashur e pastroi popullin e Tij që atë ditë të shfaqet me gëzim dhe ta durojë me shpresë. Ai është për ta edhe tani një rafinues dhe mbasi t’i ketë vënë në provë ata do të dalin si ar safi. Le të hetojmë vetveten këtë mëngjes dhe të bëjmë thirrjen dhe zgjedhjen tonë të sigurtë, në mënyrë që ardhja e Zotit të mos të shkaktojë parandjenja të errëta në mendjen tonë. Oh për atë hir, le të hedhim tutje çdo hipokrizi dhe të gjendemi në Të të sinqertë dhe të paqortueshëm në ditën e shfaqjes së Tij.
15 tetor-mbrëmje
“Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t’i thyesh qafën.”
{Eksodi 34:20}
Çdo krijesë e parëlindur duhet t’i përkasë Zotit, por përderisa gomari ishte i papastër, nuk mund të paraqitej si sakrificë. Çfarë atëherë?A duhet të lejohet të përjashtohet prej ligjit të përgjithshëm? Në asnjë mënyrë! Perëndia nuk pranon përjashtime. Gomari i përket Atij, por Ai nuk do ta pranojë atë; Ai nuk do ta zvogëlojë kërkesën, por prapëseprapë Ai nuk mund të jetë i kënaqur me flijimin. Asnjë rrugë shpëtimi nuk mbetej përveçse shpengimit —krijesa duhet të shpëtohet duke u zëvendësuar me një qengj; ose nëse nuk shlyhej, duhet të vdiste. Shpirti im, këtu ka një mësim për ty. Ajo kafshë e papastër je ti; ti je me të drejtë pronësia e Zotit që të bëri dhe të ruan, por ti je po aq mëkatar sa Perëndia nuk do të pranojë, nuk mund të të pranojë; dhe mbetet se Qengji i Perëndisë duhet të qëndrojë në vendin tënd, ose ti duhet të vdesësh përjetësisht. Le të njohë gjithë bota mirënjohjen tënde ndaj atij qengji të pametë që tashmë është gjakosur për ty dhe që kështu të shpengoi prej mallkimit fatal të ligjit.
A nuk e ka ngritur ndonjëherë si pyetje izraeliti se cili duhet të vdiste, gomari apo qengji?A nuk ka ndaluar për pak kohë për të vlerësuar dhe për të krahasuar? Me siguri që nuk kishte krahasim midis vlerës së shpirtit të një njeriu dhe jetës së Zotit Jezus dhe prapëseprapë Qengji vdes dhe njeriu, gomari kursehet. Shpirti im, admiro dashurinë e pafundme të Perëndisë për ty dhe pjesën tjetër të racës njerëzore. Krimbat janë të blerë me gjakun e Birit të Shumëtëlartit! Pluhuri dhe hiri janë të shpenguar me një çmim shumë më të lartë se argjendi dhe ari! Çfarë gjykimi që do të kisha merituar nëse nuk do të gjendej shpengim i plotë! Thyerja e qafës së gomarit nuk ishte veç një dënim i çastit,por kush mund ta masë zemërimin që ka për të ardhur për të cilin asnjë kufi nuk mund të merret me mend? I shtrenjtë në mënyrë të paçmueshme është Qengji i lavdishëm që na ka shpenguar prej një gjykimi të tillë.
16 tetor-mëngjes
“Jezusi u tha : “Ejani të hani mëngjes.”
{Gjoni 21 :12}
Në këto fjalë besimtari është i ftuar në një afërsi të shenjtë me Jezusin. “Ejani të hani,” nënkupton të njëjtën tryezë, të njëjtin ushqim; po, dhe herë pas here do të thotë të ulesh ngjitur dhe të mbështesësh kokën mbi kraharorin e Shpëtimtarit. Do të thotë të sillesh në shtëpinë e gostisë ku valëvitet flamuri i dashurisë shpenguese. “Ejani të hani,” na jep një vizion të bashkimit me Jezusin, sepse i vetmi ushqim me të cilin ne mund të gostitim kur hamë me Jezusin është vetë Ai. Oh, çfarë bashkimi që është ky! Që ne ushqehemi kështu me Jezusin është diçka që arsyeja nuk mund të hulumtojë dot. “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.” Është gjithashtu një ftesë për të gëzuar shoqërim me shenjtorët.
Të krishterët mund të ndryshojnë në shumë pika, por ata kanë të gjithë të njëjtin oreks shpirtëror; dhe nëse ne nuk mund të ndjehemi të gjithë njëlloj, ne mund të ushqehemi të gjithë njëlloj me bukën e jetës dërguar prej qiellit. Në tryezën e shoqërimit me Jezusin ne jemi një bukë dhe një kupë. Teksa kupa e dashur shkon përqark ne lidhim besë bashkë me gjithë zemër. Shko më afër Jezusit dhe do të zbulosh veten të lidhur gjithnjë e më shumë në frymë me të gjithë ata që janë si ty, të mbështetur nga e njëjta manë qiellore. Nëse do të ishim me afër Jezusit, ne do të ishim më afër me njëri-tjetrin. Ne po ashtu shikojmë në këto fjalë burimin e forcës për çdo të krishterë. Të shikosh Krishtin do të thotë të jetosh, por që të keni forcë për t’i shërbyer ju duhet “të vini të hani.” Ne punojmë duke pasur një dobësi shumë të panevojshme për shkak se lëmë pas dore këtë parim të Zotit. Asnjëri nga ne nuk duhet të mbajë dietë; përkundrazi, ne duhet të majmemi me palcën dhe dhjamin e ungjillit që kështu të mund të mbledhim forcë dhe të ushtrojmë çdo fuqi në shtrirjen e saj më të plotë në shërbimin e Mjeshtrit. Kështu pra, nëse doni të përmbushni afërsinë me Jezusin, bashkimin me Jezusin, dashurinë për popullin e Tij dhe forcë prej Jezusit, “Ejani të hani” me Të me anë të besimit.
16 tetor-mbrëmje
“Sepse pranë Teje është burimi i jetës.”
{Psalmi 36 :9}
Ka periudha në përjetimin tonë shpirtëror kur këshilla ose mirëkuptimi njerëzor, ose sakramentet e besimit, dështojnë të na ngushëllojnë ose të na ndihmojnë. Pse Perëndia ynë i hirshëm e lejon këtë? Ndoshta sepse ne kemi jetuar për një kohë të gjatë pa Të dhe prandaj Ai heq tutje çdo gjë ku kemi pasur zakon të varemi, që të na kthejë tek vetë Ai. Është një gjë e bekuar të jetosh te koka e burimit. Ndërsa caliku ynë i ujit është plot, ashtu si Hagari me Ismaelin, ne shkojmë në shkretëtirë pa hezituar, por kur caliku është i thatë, asgjë nuk do të na hyjë në punë përveç “Ti Perëndi më shikon.” Ne jemi si plëngprishësi, duam lendet e derrave dhe harrojmë shtëpinë e Atit tonë.
Kujtoni se ne mund të nxjerrim lende dhe lëvore edhe prej formave të fesë ;ato janë gjëra të bekuara, por ne mund ti vendosim ato në vend të Perëndisë dhe atëherë ato nuk kanë vlerë. Çdo gjë bëhet një idhull kur na mban larg prej Perëndisë, madje edhe gjarpri prej bronzi është për tu përçmuar si “Nehushtan,” nëse e adhurojmë atë në vend të Perëndisë. Plëngprishësi nuk ishte kurrë më i sigurtë se sa kur u shty të shkonte në kraharorin e atit të tij, sepse ai nuk mund të gjente mbështetje në asgjë tjetër. Zoti ynë na favorizon me një zi buke në mënyrë që të na bëjë ta kërkojmë më shumë. Pozicioni më i mirë për të krishterin është të jetojë plotësisht dhe drejtpërsëdrejti prej hirit të Perëndisë—duke qëndruar akoma atje ku qëndroi në fillim—“që s’ka kurrgjë, por ka gjithçka.” Le të mos mendojmë kurrë as dhe për një çast se pozicioni ynë varet nga shenjtërimi ynë, nga kryqëzimi i njeriut të vjetër, nga hiret tona, ose nga ndjenjat tona, por duhet të dimë se ngaqë Krishti ofroi një shlyerje të plotë prandaj dhe jemi të shpëtuar, sepse ne jemi të plotë në Të. Duke mos pasur asgjë në veten tonë ku të vendosim besimin, por duke u varur në meritat e Jezusit—pasioni i Tij dhe jeta e Tij e shenjtë na furnizojnë me një themel të sigurtë mirëbesimi. Të dashur, kur sillemi në një gjendje etje, me siguri që do të kthehemi me zell tek burimi i jetës.
17 tetor-mëngjes
“Davidi tha në zemër të tij:”Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit.”
{1 Samueli 27 :1}
Mendimi i zemrës së Davidit në atë kohë ishte një mendim i rremë, sepse me siguri që ai nuk kishte arsye për të menduar se vajosja që kishte marrë nga Perëndia me anë të Samuelit nënkuptonte një akt të zbrazët jo domethënës. Në asnjë rast Zoti nuk braktisi shërbëtorin e tij; ai shumë shpesh ishte ndodhur në situata të rrezikshme, por nuk kishte asnjë rast ku ndërhyrja hyjnore nuk e çliroi. Mundimet që duhet të përballonte qenë të ndryshme; ato nuk merrnin vetëm një formë, por shumë forma—prapëseprapë në çdo rast Ai që dërgoi sprovën kishte caktuar hirshëm gjithashtu një rrugë shpëtimi. Davidi nuk mund të vendoste gishtin në ndonjë shënim në ditarin e tij dhe të thoshte në lidhje me të, “këtu ka një dëshmi se Zoti do të më braktisë,” sepse e gjitha rrjedha e jetës së tij së kaluar provoi tërësisht të kundërtën.
Ai duhet të kishte arsyetuar se çfarë Perëndia kishte bërë për të dhe se Perëndia do të ishte akoma mbrojtësi i tij. Mirëpo a nuk është pikërisht në të njëjtën mënyrë që ne vëmë në dyshim ndihmën e Perëndisë? A nuk është kjo vallë mosbesim pa shkak? A kemi pasur ndonjëherë hijen e ndonjë arsyeje për të dyshuar mirësinë e Atit tonë? A nuk ka qenë e mrekullueshme dashamirësia e Tij? A e ka zhgënjyer Ai ndonjëherë besimin tonë? Ah, jo! Perëndia nuk na ka braktisur në asnjë çast. Ne kemi pasur netë të errëta, por ylli i dashurisë ka shkëlqyer mes errësirës; kemi qenë në konflikte të rreptë, por mbi kokat tona Ai ka ngritur mburojën e mbrojtjes sonë. Ne kemi kaluar shumë sprova, por asnjëherë nuk jemi dëmtuar, gjithmonë ka qenë për të mirën tonë; dhe përfundimi prej përjetimit tonë të kaluar është se Ai që ka qenë me ne në gjashtë trazira nuk do të na braktisë në të shtatën. ?farë kemi njohur nga Perëndia ynë besnik provon se Ai do të na ruajë deri në fund. Pra le të mos arsyetojmë kundër provës së qartë. Si mund të jemi aq të papërzemërt sa të dyshojmë Perëndinë tonë? Zot hidh poshtë Jezabelin e mosbesimit tonë dhe le ta hanë qentë.
17 tetor-mbrëmje
“Do t’i mbledhë qengjat me krahun e Tij.”
{Isaia 40:11}
Bariu ynë i mirë ka në kopenë e Tij një shumicë përjetimesh, disa janë të fortë në Zotin dhe të tjerë janë të dobët në besim,por Ai është i paanshëm në përkujdesjen e Tij për të gjithë delet dhe qengji më i dobët është për Të po aq i shtrenjtë sa edhe qengji më i përparuar i kopesë. Qengjat e kanë zakon të mbesin mbrapa,të prirur për t’u hallakatur dhe të aftë të lodhen gjithnjë e më shumë,por Bariu i mbron me krahun e fuqisë së Tij prej të gjitha rreziqeve të këtyre dobësive. Ai gjen shpirtra të rilindur që janë si qengja të vegjël, gati duke vdekur—Ai i ushqen derisa jeta bëhet e fuqishme; Ai gjen mendje-dobëtit gati për t’u zalisur dhe duke vdekur—Ai i ngushëllon dhe ripërtërin fuqinë e tyre. Të gjithë të vegjlit Ai i mbledh bashkë, sepse vullneti i Atit është që asnjë prej tyre të mos humbasë. Çfarë syri shqiponje duhet të ketë Ai për t’i parë të gjithë ata! Çfarë zemre të dhembshme për t’u kujdesur për të gjithë ata! Çfarë krahu të shtrirë dhe të fuqishëm për t’i mbledhur të gjithë bashkë!
Në periudhën e jetës së Tij në tokë Ai ishte një mbledhës i madh i llojit më të dobët dhe tani që banon në qiell, zemra e tij e dashur dëshiron me zjarr këtu poshtë të përulurin dhe të penduarin, të ndrojturin dhe të dobëtin, të frikësuarin dhe të ligështuarin. Sa me butësi Ai më mblodhi me veten e Tij, me të vërtetën e Tij, me gjakun e Tij, me dashurinë e Tij, me Kishën e Tij! Me çfarë hiri të efektshëm Ai më shtyu të vij tek Ai! Që prej kthimit tim në besim, sa shpesh Ai më ka rimëkëmbur prej hallakatjeve të mia dhe edhe një herë tjetër më mbështolli brenda rrethit të krahut të Tij të përjetshëm! Më e mira nga të gjithat është se Ai i bën të gjitha këto gjëra vetë personalisht, pa e deleguar detyrën e dashurisë, por duke begenisur për të na ardhur në ndihmë dhe për të ruajtur edhe shërbëtorin më të pavlerë. Si do të mund ta dua Atë mjaftueshëm ose t’i shërbej Atij denjësisht? Do të dëshiroja shumë ta bëj emrin e Tij të madh në gjithë anët e botës, por çfarë mund të bëjë dobësia ime për Të? Bari i madh, shtoi mëshirave të mia këtë tjetrën, një zemër për të të dashur ashtu siç duhet më me vërtetësi.
18 tetor-mëngjes
“Gjurmët (udhët) e Tua dallohen me bollëkun e të mirave.”
{Psalmi 65 :11}
Shumë janë “udhët e Zotit” që sjellin të mira, por një udhë e veçantë është ajo e lutjes. Asnjë besimtar, që qëndron shumë në kthinën e tij, nuk ka nevojë të thërrasë, “Mjerë unë, mjerë unë! Vaj medet! Shpirtra që vdesin nga uria jetojnë në largësi prej fronit të mëshirës dhe në periudha thatësire bëhen si fusha të djegura. Fitorja me Perëndinë në lutjen këmbëngulëse me siguri që e bën të fortë besimtarin—nëse jo të lumtur. Vendi më i afërt me portën e qiellit është froni i hirit qiellor. Kaloni shumë kohë vetëm me Jezusin dhe ju do të keni shumë siguri; kaloni pak kohë vetëm me Jezusin, besimi juaj do të jetë i cekët, i ndotur me shumë dyshime, frikë dhe duke mos shndritur me gëzimin e Zotit. Përderisa udha e lutjes pasuruese të shpirtit është e hapur për shenjtorin edhe më të dobët; përderisa nuk kërkohen arritje të mëdha; përderisa ti nuk je thirrur të vish sepse je një shenjtor i përparuar, por je i ftuar falas ngaqë je thjesht shenjtor, trego kujdes, lexues i shtrenjtë, që të gjendesh shpesh në udhën e përkushtimit vetjak. Ji shumë mbi gjunjët e tu, sepse në këtë mënyrë Elia solli shiun mbi fushat e thara të Izraelit.
Ka një tjetër udhë të veçantë që i sjell shumë të mira atyre që ecin në të, është ecja e fshehur e shoqërimit. Oh! kënaqësitë e shoqërimit me Jezusin! Toka nuk ka fjalë që të mund të shprehë paqen e shenjtë të shpirtit që mbështetet mbi kraharorin e Jezusit. Pak të krishterë e kuptojnë atë, ata jetojnë në vendet e ulëta dhe rrallë ngjiten në majën e Nebos; ata jetojnë në oborrin e jashtëm, nuk hyjnë në vendin e shenjtë, ata nuk marrin privilegjin e priftërisë. Në largësi shikojnë blatimin, por nuk ulen me priftin për të ngrënë dhe për të gëzuar dhjamin e flijimit të djegur. Mirëpo, lexues, ulu përherë nën hijen e Jezusit; eja nën atë pemë palme dhe kap degët e saj; le të jetë i shumëdashuri jot për ty si një pemë molle midis pemëve të pyllit dhe ti do të kënaqesh si me palcë dhe dhjam. Oh Jezus, na vizito me shpëtimin Tënd!
18 tetor-mbrëmje
“Ja, bindja është më e mirë se flijimi.”
{1 Samuel 15 :22}
Sauli qe urdhëruar të shfaroste të gjithë amalekitët dhe bagëtinë e tyre. Në vend që të bënte ashtu, ai e kurseu mbretin dhe lejoi popullin e tij të marrë prej viçave dhe deleve më të mira. Kur iu kërkua llogari, ai deklaroi se e bëri këtë me qëllim për t’ia ofruar në sakrificë Perëndisë, por Samueli e përballi menjëherë me sigurinë se flijimet nuk ishin një justifikim për një veprim rebelimi të drejtpërdrejtë. Thënia përpara nesh ia vlen që të shtypet me gërma ari dhe të varet përpara syve të brezit idhujtar të tanishëm, që janë të dhënë pas pispillosjeve të adhurimit, por tërësisht neglizhues ndaj ligjeve të Perëndisë. Le të jetë përherë në kujtesën tuaj se të qëndrosh me rreptësi në udhën e urdhërimeve të Shpëtimtarit tuaj është më mirë se sa çdo formë e jashtme feje; dhe të dëgjosh parimin e Tij me një vesh të kujdesshëm është më mirë se sa të sjellësh dhjamin e deshve, ose çfarë do lloj gjëje tjetër për t’u vendosur në altarin e Tij.
Nëse po dështoni të ruani urdhërimet më të vogla që Krishti i dha dishepujve të Tij, ju lutem që të mos jeni më gjatë të pabindur. Të gjithë pretendimet që ju bëni për besnikëri ndaj Zotit tuaj dhe të gjitha veprimet e përkushtuara që mund të kryeni, nuk janë shpërblim për mosbindje. “Të bindesh” edhe në gjërat më të vogla, “është më mirë se flijimi,” sado pompoz të ishte. Mos flit për këngë gregoriane, veshje madhështore, temjan dhe flamuj; gjëja e parë që Perëndia kërkon prej fëmijës së tij është bindja; dhe edhe sikur të japësh trupin tënd për të djegur dhe të gjithë plaçkën tënde për të ushqyer të varfrin, prapëseprapë nëse nuk merr në konsideratë parimet e Zotit, të gjitha formalitetet e tua nuk do të hyjnë në punë për asgjë. Është një gjë e bekuar të mësohesh si një fëmijë i vogël,por është një gjë akoma më e bekuar kur mbasi je mësuar ta zbatosh në mënyrë të mirëfilltë. Sa shumë ka që zbukurojnë tempujt e tyre dhe stolisin priftërinjtë e tyre, por kundërshtojnë t’i binden fjalës së Zotit! Shpirti im, mos vepro si ata.
19 tetor-mëngjes
“Foshnja në Krisht.”
{1Korintasve 3:1}
A po pikëllohesh, besimtar, sepse je kaq i dobët në jetën hyjnore, sepse besimi yt është i vogël, dashuria jote kaq e pakët? Gëzohu, sepse ke arsye për mirënjohje. Kujto se në disa gjëra ti je i barabartë me të krishterin më të madh dhe më të pjekur. Ti je po aq i blerë me gjakun sa është edhe ai. Ti je po aq një fëmijë i adoptuar i Perëndisë sa çdo besimtar tjetër. Një fëmijë është po aq me të vërtetë një fëmijë i prindërve të tij sa edhe kur është burrë i pjekur. Ti je po aq plotësisht i drejtësuar, sepse drejtësimi jot nuk është një çështje shkalle; besimi jot i vogël të ka pastruar plotësisht. Ti ke të drejtën për gjërat e çmueshme të besëlidhjes po aq sa edhe besimtarët më të përparuar, sepse e drejta jote për mëshirat e besëlidhjes nuk qëndron në rritjen tënde, por në vetë besëlidhjen; dhe besimi yt në Jezus nuk tregon shkallën, por dëshminë e trashëgimisë tënde në Të.
Ti je po aq i pasur sa më të pasurit, nëse jo në gëzim, prapëseprapë në zotërim të vërtetë. Ylli më i vogël që shkëlqen është i vendosur në qiell; rrezja më e mekët e dritës ka lidhje me diellin e ditës. Në regjistrin e familjes së lavdisë, i vogli dhe i madhi janë të shkruar me të njëjtën penë. Ti je po aq i shtrenjtë në zemrën e Atit sa edhe më i madhi në familje. Jezusi është shumë zemërdhembshur për ty. Ti je si një kandil tymues; një frymë e vrazhdë do të thoshte, “shuaje atë kandil tymues, e mbush dhomën me një erë bezdisëse” por Ai nuk do ta fikë kandilin tymues. Ti je si një kallam i thyer; dhe çdo dorë më pak e butë se sa e ajo Kryedirigjentit do të të copëtonte dhe do të hidhte tutje, por Ai nuk do ta thërrmojë kallamin e thyer. Në vend që të jesh i dëshpëruar prej asaj se çfarë je, ti duhet të triumfosh në Krisht. A jam i vogël në Izrael? Prapëseprapë në Krishtin jam ulur në vendet qiellore. A jam i varfër në besim? Prapëseprapë në Jezusin unë jam trashëgimtar i të gjitha gjërave. Edhe “pse nuk mund të mburrem për asgjë dhe rrëfej kotësinë time” prapëseprapë nëse thelbi i besimit është brenda meje unë do të gëzohem në Zotin dhe do të lavdërohem në Perëndinë e shpëtimit tim.
19 tetor-mbrëmje
“Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi.”
{Jobi 35:10}
Çdo njeri mund të këndojë gjatë ditës. Kur kupa është plot, njeriu nxjerr frymëzim prej saj. Kur pasuria është me bollëk rreth tij, çdo njeri mund të lavdërojë Perëndinë që jep një të korrur të begatshme ose që mbush plot me të mira. Është e lehtë për një harpë të përhapë tingullin kur era fryn—mirëpo është e vështirë për tingullin që të përhapet kur era fryn fort. Është e lehtë të këndosh kur mund të lexojmë notat në dritën e ditës, por është i zoti ai që këndon kur nuk ka as dhe një rreze dritë për të lexuar—që këndon prej zemrës së tij. Asnjë njeri nuk mund të kompozojë një këngë në ditën e errët të tij; ai mund të përpiqet, por do të kuptojë se një këngë natën duhet të jetë e frymëzuar në mënyrë hyjnore. Le të shkojnë mirë të gjithë gjërat, unë mund të krijoj këngë, duke i kompozuar kudo që shkoj prej luleve që rriten në shtegun tim, por më vendos në një shkretëtirë, ku asgjë e blertë nuk rritet dhe me çfarë vallë do të ndërtoja një himn lavdie për Perëndinë tim? Si vallë një i vdekshëm mund të bëjë një kurorë për Zotin atje ku nuk ka gurë të çmuar?
Le të jetë ky zë i pastër, ky trup plot me shëndet dhe atëherë mund të këndoj lavdinë e Perëndisë; bëje të heshtë gjuhën time, më shtri mbi shtratin e lëngimit dhe si vallë do të këndoja atëherë lavditë e larta të Perëndisë, nëse vetë Ai nuk më jep këngën? Jo, nuk është në pushtetin e njeriut të këndojë kur gjithçka është kundër tij, veçse nëse një copë qymyr prej altarit prek buzët e tij. Ishte një këngë hyjnore ajo që Habakuku këndoi, kur gjatë natës, ai tha, “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të këtë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla,unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.”Atëherë, përderisa Krijuesi ynë na jep natën këngë gëzimi, le të presim nga Ai për muzikën. Oh ti Kryedirigjent, mos na lër të qëndrojmë pa këngë për shkak se pikëllimi është mbi ne, por akordo buzët tona për melodinë e falënderimeve.
20 tetor-mëngjes
“Të rritemi në çdo gjë drejt Atij.”
{Efezianët 4 :15}
Shumë të krishterë mbesin të pazhvilluar dhe të rrëgjuar në gjërat shpirtërore, kështu që sa për të tashmen është e njëjta pamje vit mbas viti. Asnjë ndjenjë e përparuar dhe e rafinuar nuk shfaqet në ta. Ata jetojnë, por nuk “rriten në çdo gjë.” Mirëpo a duhet të mbesim të kënaqur duke mbetur thjesht kallëz ndërkohë që mund të zhvillohemi për t’u bërë kallinj dhe mundësisht kallinj të pjekur? A duhet të kënaqemi që të besojmë në Krisht dhe të themi, “Jam i sigurtë,” pa dëshiruar të njohim në përjetimin tonë më shumë prej plotësisë që gjendet në Të. Nuk duhet të jetë kështu; ne duhet, ashtu si biznesmenë të zotë në punët e qiellit, të lakmojmë të pasurohemi në njohjen e Jezusit. Është shumë mirë të ruash vreshtat e të tjerëve, por ne nuk duhet të lëmë pas dore vetë rritjen dhe pjekjen tonë shpirtërore.
Pse duhet të jetë përherë dimër në zemrat tona? Është e vërtetë që ne duhet të njohim stinën e mbjelljes së farës, por le të dëshirojmë fort për stinën e pranverës—po, madje një stinë vere, që do të na japë premtimin e një korrje të hershme. Nëse do të donim të piqeshim në hir, ne duhet të jetojmë afër Jezusit—në praninë e Tij—duke u rritur prej rrëzëllimeve të buzëqeshjeve të Tij. Ne duhet të mbajmë shoqërim të ëmbël me Të. Ne nuk duhet ta vështrojmë nga larg fytyrën e Tij, por duhet të vijmë afër, ashtu si Gjoni bëri, dhe të mbështetim kokën mbi kraharorin e Tij; atëherë do të shikojmë veten tonë duke përparuar në shenjtëri, në dashuri, në besim, në shpresë—po, në çdo dhunti të çmueshme. Ashtu si dielli ngrihet së pari mbi majat e maleve dhe i praron me dritën e tij dhe paraqet një prej pamjeve më të hijshme para syve të udhëtarit, po kështu, është një prej soditjeve më të këndshme në botë të vëresh shndritjen e dritës së Frymës mbi kokën e ndonjë shenjtori, që është rritur në shtatin e tij shpirtëror, ashtu si Sauli, mbi shokët e tij, derisa, ashtu si Alpet e fuqishme, të mbuluara me borë, ai reflekton i pari midis së zgjedhurve rrezet e Diellit të Drejtësisë dhe mban shkëlqimin e rrëzëllimit të ngritur lart për t’u parë nga të gjithë dhe duke e parë atë, të lavdërojnë Atin e Tij që është në qiell.
20 tetor-mbrëmje
“Mos i mbaj (mos rri mbrapa).”
{Isaia 43 :6}
Edhe pse ky mesazh u dërgua në jug dhe i referohej farës së Izraelit, mund të përbëjë edhe për ne një thirrje në mënyrë të dobishme. Për çdo gjë të mirë ne jemi prej natyre mbrapa dhe është një mësim hiri të mësosh të shkosh përpara në udhët e Perëndisë. Lexues, a je i pakthyer në besim, por a dëshiron të besosh në Zotin Jezus? Atëherë mos rri mbrapa. Dashuria të fton, premtimi të siguron sukses, gjaku i çmuar të përgatit udhën. Mos u pengo nga mëkatet ose frikërat, por eja të Jezusi ashtu si je. A ke dëshirë të madhe për t’u lutur? A do të doje të derdhje zemrën tënde përpara Zotit? Mos rri mbrapa. Froni i mëshirës është i përgatitur për ata që kanë nevojë për mëshirë; klithmat e një mëkatari do të dalin fituese me Perëndinë. Ti je i ftuar, jo, madje ti je i urdhëruar të lutesh, eja pra me guxim te froni i hirit.
Mik i shtrenjtë, a je tashmë i shpëtuar? Atëherë mos rri mbrapa prej bashkimit me popullin e Zotit. Mos lër pas dore urdhëresat e pagëzimit dhe të Darkës së Zotit. Ti mund të kesh prirjen të jesh i ndrojtur, por ti duhet ta luftosh këtë prirje, që të mos të të shpjerë në mosbindje. Ka një premtim të ëmbël për ata që rrëfejnë Krishtin—në asnjë mënyrë mos e humb atë, që të mos jesh nën dënimin e atyre që e mohojnë Atë. Nëse ke talente mos i mbaj mbrapa pa i përdorur. Mos grumbullo pasuri, mos humb kohën; mos lër që aftësitë tuaja të ndryshken ose ndikimi yt të mos përdoret. Jezusi nuk qëndroi mbrapa, imitoje Atë duke qenë sa më tepër në vetë-mohime dhe vetë-flijime. Mos qëndro mbrapa prej shoqërimit të ngushtë me Perëndinë, prej zotërimit me guxim të bekimeve të besëlidhjes,prej përparimit në jetën hyjnore, prej kureshtjes në misteret e çmueshme të dashurisë së Krishtit. Po ashtu, i dashur mik, mos u bë fajtor duke mbajtur mbrapa të tjerët me anë të ftohtësisë tënde, me anë të vrazhdësisë tënde, ose dyshimeve të tua. Për hir të Krishtit shko vetë përpara dhe jepi zemër të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. Ferri dhe bandat besëlidhura të besëtytnisë dhe paudhësisë janë përpara për betejë. O ushtarë të kryqit, mos qëndroni mbrapa.
21 tetor-mëngjes
“Dashuria e Krishtit na shtrëngon.”
{2 Korintasve 5:14}
Sa shumë i detyrohesh Zotit tim? A ka bërë Ai ndonjë gjë për ty? A ka falur Ai mëkatet e tua? A të ka veshur me një petk drejtësie? A ka vendosur Ai këmbën tënde mbi një shkëmb?A ka përforcuar ecjen tënde? A ka përgatitur qiellin për ty? A të ka përgatitur për qiellin? A ka shkruar emrin tënd në librin e qiellit?A të ka dhënë bekime të panumërta? A ka ruajtur për ty një depo mëshirash, që syri nuk ka parë as veshi nuk ka dëgjuar? Atëherë bëj diçka për Jezusin që është e denjë për dashurinë e Tij? Mos jep thjesht një ofertë me fjalë për Shpenguesin që ka dhënë jetën për ty. Si do të ndjeheshe vallë kur Zoti yt do të vijë, nëse ke për të rrëfyer se nuk bërë asgjë për Të, por e mbajte dashurinë tënde të mbyllur, si një pellg ndenjës duke mos lëvizur as drejt nevojtarëve të Tij as për veprën e Tij. Larg qoftë një dashuri e tillë!
Çfarë mendojnë vallë njerëzit mbi dashurinë që nuk e tregon veten në veprim? Pse vallë ata thonë, “Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.” Kush do të pranonte një dashuri kaq të dobët që nuk ju vë në veprim as për një vepër të vetme vetë-mohimi, zemërgjerësie, heroizmi ose zelli! Mendo se si të ka dashur dhe se dha veten e Tij për ty! A e njeh fuqinë e kësaj dashurie? Atëherë, le të jetë si një erë e fuqishme dhe e furishme në shpirtin tënd për të larguar tutje retë e mondanitetit tënd dhe të shpërndajë mjegullën e mëkatit. “Për hir të Krishtit” le të jetë kjo gjuha e zjarrtë që vjen mbi ty; “për hir të Krishtit” le të jetë kjo rrëmbimi hyjnor, që të ngre lart nga toka, fryma hyjnore që do të të bëjë të guximshëm si luanët dhe të shpejtë si shqiponjat në shërbimin e Zotit. Zoti duhet t’i japë krahë këmbëve të shërbimit dhe forcë krahëve të punës. Të përqendruar në Perëndinë me një qëndrueshmëri që nuk ka për t’u lëkundur, të vendosur për ta nderuar me një vendosmëri që nuk ka për t’u hequr mënjanë dhe duke shtyrë përpara me një zell që kurrë nuk ka për t’u lodhur, le të shfaqim shtrëngimet e dashurisë për Jezusin. Fuqia tërheqëse hyjnore na tërheqtë drejt saj për në parajsë.
21 tetor-mbrëmje
“Pse jeni shqetësuar dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?”
{Lluka 24:38}
“Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im?” Zoti kujdeset për gjithçka dhe krijesa më e vogël ka pjesë në providencën e Tij universale, por providenca e Tij e veçantë është mbi shenjtorët e Tij. “Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej Tij dhe i çliron” “Gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të Tij.” “Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të Tij”. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të Tij.” Le të të gëzojë dhe të të ngushëllojë fakti se, ndërsa Ai është Shpëtimtari i të gjithë njerëzve, Ai është veçanërisht Shpëtimtari i atyre që besojnë. Ti je rasti i Tij i veçantë; thesari i Tij i përzgjedhur që Ai e ruan si bebja e syrit; vreshti që Ai e ruan ditë e natë. “Edhe flokët e kokës janë të gjitha të numëruara.”
Le të jetë mendimi i dashurisë së Tij të veçantë për ty një dhembjevrasës shpirtëror, një balsam i shtrenjtë në fatkeqësinë tënde: “Nuk do të të lë, nuk do të braktis.” Perëndia ta thotë këtë po aq sa edhe çdo shenjtori në kohët e vjetra. “Mos ki frikë,unë jam mburoja jote dhe shpërblimi yt i madh.” Ne humbasim shumë ngushëllim prej zakonit së lexuarit të premtimeve të Tij për të gjithë Kishën, në vend që t’i marrim drejtpërsëdrejti për veten tonë. Besimtar, mbërthe fjalën hyjnore me një besim personal përvetësues. Mendo se dëgjon Jezusin të të thotë, “Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket.” Mendo se e sheh duke ecur mbi ujërat e telashit tënd, sepse Ai është atje dhe po thotë, “Mos ki frikë, sepse Unë jam me ty, mos e humb.” Oh, ato fjalë të ëmbla të Krishtit! Fryma e Shenjtë le të të bëjë që t’i ndjesh sikur të ishin të folura për ty, harro të tjerët për pak kohë—prano zërin e Jezusit ashtu si të drejtohet ty dhe thuaj, “Jezusi më ngushëllon; nuk mund ta refuzoj atë; do të ulem nën hijen e Tij me kënaqësi të madhe.”
22 tetor-mëngjes
“Do t’i dua shumë (pa kushte).”
{Osea 14:4}
Kjo fjali është një përmbledhje teologjie në miniaturë. Ai që e kupton domethënien e saj është një teolog dhe ai që mund të zhytet në plotësinë e saj është një mjeshtër i vërtetë në Izrael. Është një përmbledhje e mesazhit të lavdishëm të shpëtimit që na u dha në Krishtin Jezus, Shpenguesin tonë. Kuptimi i saj sillet përreth fjalës “pa kushte.” Kjo është udha e lavdishme, e përshtatshme dhe hyjnore prej së cilës dashuria shpërthen prej qiellit në tokë, një dashuri e vetvetishme që derdhet poshtë për ata që as nuk e meritojnë as nuk e blenë dhe as nuk e kërkuan atë. Është me të vërtetë udha e vetme sipas të cilës Perëndia mund të dojë të tillë si ne. Teksti është një goditje vdekjeprurëse për çdo lloj vepre; “do t’i dua pa kushte.” Tani, nëse do të kishte ndonjë gjë të rekomandueshme te ne, atëherë Ai nuk do të na donte pa kushte, së paku kjo do të ishte një përzierje dhe jo një dashuri e pastër pa kushte.
Mirëpo thuhet, “do t’i dua pa kushte.” Ne ankohemi, “Zot, zemra ime është kaq e ngurtë.” ”Do të të dua pa kushte.” “Por nuk ndjej nevojën për Krishtin ashtu si do të doja.” “Nuk të dua sepse ti ndjen ndonjë gjë; do të të dua pa kushte.” “Por nuk e ndjej atë frymë të butë që do të doja.” Kujto, një frymë e butë nuk është një kusht, sepse thjesht nuk ka kushte; besëlidhja e hirit nuk ka asnjë lloj kushtëzimi në mënyrë që ne, pa ndonjë vepër tonën, të mund të guxojmë për premtimet e Perëndisë që na u bënë në Krishtin Jezus, kur Ai tha,”Ai që beson në mua nuk është i dënuar.”Është gjë e bekuar të njohësh se hiri i Perëndisë është i vlefshëm për ne në të gjitha kohërat, pa përgatitje, pa vepër, pa para dhe pa çmim! “Do t’i dua pa kushte.” Këto fjalë ftojnë të pabesët për t’u rikthyer; në të vërtetë, teksti ishte shkruar veçanërisht për ta—”Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë.” I pabesë! me siguri që zemërgjerësia e premtimit do të thyeje menjëherë zemrën tënde dhe ti do të kthehesh dhe do të kërkosh fytyrën e lënduar të Atit.
22 tetor-mbrëmje
“Ai do të marrë prej Simes dhe do t`jua kumtojë.”
{Gjoni 16:15}
Ka periudha kur të gjitha premtimet dhe doktrinat e Biblës nuk vlejnë, në qoftë se një dorë e hirshme nuk i zbaton te ne. Ne jemi të etur, por shumë të dobët për t’u zvarritur deri te përroi. Kur një ushtar plagoset në betejë nuk i hyn në punë të dijë se në spital mund të lidhin plagët e tij dhe se mjekimet do të lehtësojnë të gjitha plagët prej të cilave vuan; për çfarë ai ka nevojë është që të dërgohet në spital dhe t’i jepet mjekimi. Po kështu edhe me shpirtrat tanë dhe për të përmbushur këtë nevojë, është Fryma e së vërtetës që merr nga gjërat e Jezusit dhe i zbaton te ne. Mos mendo se Krishti ka vendosur gëzimet e Tij në sirtarë qiellor që të mund të ngjitemi për to vetë atje, por Ai tërheq afër dhe përhap paqen e Tij në zemrat tona.
O i krishterë, nëse sonte po mundohesh nën pikëllime të thella, Ati yt nuk të jep premtime që t’i tërheqësh jashtë prej Fjalës si kova prej një pusi, por premtimet që Ai ka shkruar në Fjalën do t’i shkruajë përsëri në zemrën tënde. Ai do të shfaqë dashurinë e Tij për ty dhe me anë të Frymës së Tij të bekuar, Ai do të shpërndajë tutje shqetësimet dhe telashet e tua. Mëso këtë gjë o ti që vajton, se është drejta e posaçme e Perëndisë të fshijë çdo lot prej syrit të popullit të Tij. Samaritani i mirë nuk tha,”Këtu është vera dhe këtu është vaji për ty.” Ai në fakt derdhi mbi plagë vajin dhe verën. Kështu që Jezusi jo vetëm që të jep verën e ëmbël të premtimit, por mban kupën e artë në buzët e tua dhe derdh gjakun e jetës në gojën tënde. I varfri, i sëmuri, shtegtari i lodhur nuk forcohet thjesht për të ecur, por Ai mbahet mbi krahë shqiponje. Ungjill i lavdishëm! që jep gjithçka për të pafuqishmin, që na tërheq afër kur nuk mund ta arrijmë dot—na sjell hir përpara se të kërkojmë hirin! Këtu ka po aq shumë lavdi në dhënien se sa në dhuratën. Të lumtur janë ata që kanë Frymën e Shenjtë që i sjell Jezusin.
23 tetor-mëngjes
“A doni dhe ju të largoheni?”
{Gjoni 6 :67}
Shumë kanë braktisur Krishtin dhe nuk kanë ecur më me të, por çfarë arsye keni ju që të ndryshoni? A ka pasur ndonjë arsye për këtë në të kaluarën? A nuk e ka provuar veten Jezusi të mjaftueshëm? Ai ju bën thirrje këtë mëngjes—”A kam qenë një shkretëtirë për ju?” Kur shpirti juaj ka besuar thjesht Jezusin, a jeni turpëruar vallë? A nuk e keni njohur deri tani Zotin tuaj si një mik zemërgjerë dhe i mëshirshëm për ju dhe a nuk ju ka dhënë mirëbesimi i thjeshtë në Të të gjithë paqen që fryma juaj do të mund të dëshironte? A mund të ëndërronit vallë për një mik më të mirë se sa Ai? Atëherë mos ndrysho gjënë e vjetër dhe të provuar për të renë dhe të rremen. Përsa i përket të tashmes, a ju shtyn që të largoheni prej Krishtit? Kur jemi turbulluar shumë prej kësaj bote, ose me sprovat e rrepta brenda Kishës, ne na duket gjëja më e bekuar të mbështetim kokën tonë mbi kraharorin e Shpëtimtarit tonë.
Ky është gëzimi që kemi sot se jemi të shpëtuar në Të; dhe nëse ky gëzim është i kënaqshëm, pse vallë do të mendonim për të ndryshuar? Kush shkëmben vallë arin për ndryshkun? Ne nuk do të heqim dorë prej diellit derisa të gjejmë një dritë më të mirë, as nuk do të braktisim Zotin tonë derisa një i dashur më i shkëlqyeshëm të mund të shfaqet; dhe përderisa kjo gjë nuk mund të ndodhë, ne do ta mbërthejmë Atë me një kapje të pavdekshme dhe do të lidhim emrin e Tij si një vulë në krahun tonë. Përsa i përket të ardhmes, a mund të sugjeroni ndonjë gjë që mund të ndodhë që do të bënte të nevojshme për ju të rebeloheshit, ose të braktisnit flamurin e vjetër për të shërbyer nën urdhrat e një kapiteni tjetër? Ne nuk mendojmë kështu. Nëse jeta do të ishte e gjatë—Ai nuk ndryshon. Nëse ne jemi të varfër, ku ka më mirë se sa të kesh Krishtin që mund të na bëjë të pasur? Kur ne jemi të sëmurë, çfarë do të donim më shumë se sa Jezusin të na qëndronte afër shtratit në sëmundjen tonë? Kur ne do të vdesim, a nuk është vallë e shkruar se “as vdekja,as jeta,as gjërat e tashme,as gjërat e ardhshme,nuk do të mund të na ndajnë dot prej dashurisë së Perëndisë,që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë!” Ne themi me Pjetrin, “Zot, te kush të shkojmë?”
23 tetor-mbrëmje
“Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim.”
{Lluka 22 :46}
Kur është i krishteri më i prirur për të dremitur?A nuk është vallë kur rrethanat e tij janë të begatshme?A nuk ju është dukur kështu?Atëherë kur ju kishit telashe të përditshme për të shpjerë në fronin e hirit, a nuk ishit vallë më të zgjuar se sa jeni tani? Shtigje të lehtë bëjnë shtegtarë të përgjumur. Një tjetër periudhë e rrezikshme vjen kur çdo gjë shkon këndshëm në çështjet shpirtërore. I krishteri nuk shkoi të flinte kur luanët ishin në mes udhës, ose kur po kalonte përmes lumit, ose kur po luftonte me Apolonin, por kur ai pati ngjitur gjysmën e Kodrës së Vështirësisë dhe mbërriti në një pyll lisi të këndshëm, u ul dhe ra në gjumë, gjë që i solli pikëllim dhe humbje të madhe. Toka e magjepsur është një vend flladesh të lehtë, e ngarkuar me erëra të këndshme dhe ndikimesh të buta, të gjitha duke bërë që shtegtarët të përgjumen.
Kujtoni përshkrimin e Bunianit: “Më pas ata mbërritën në një pyll lisi, të ngrohtë dhe që premtonte shumë ripërtëritje për shtegtarët e lodhur, sepse kishte një pamje të bukur, plot gjelbërim dhe i pajisur me stola. Kishte gjithashtu atje një kanapé të butë, ku të lodhurit të mund të mbështeteshin.” “Pylli u quajt Miku i Përtacit dhe ishte bërë me qëllim për të joshur, nëse ishte e mundur, disa nga shtegtarët për të pushuar kur ndjeheshin të lodhur.” Mos kini dyshim, është në vendet e rehatshme që njerëzit mbyllin sytë dhe bredhin në tokën ëndërrimtare të harresës. Erskini i vjetër vuri re me urtësi, “Pëlqej me tepër një djall ulëritës se sa një djall të përgjumur.” Nuk ka tundim aq të rrezikshëm sa të mos jesh i tunduar. Shpirti i trishtuar nuk fle; është mbasi hyjmë në mirëbesim të paqshëm dhe plot me siguri që ne rrezikojmë të përgjumemi. Dishepujt ranë në gjumë mbasi panë Jezusin të shpërfytyruar mbi majën e malit. Ki kujdes, i krishterë i gëzueshëm, gjendja e mirë është fqinjë e tundimit; ji aq i lumtur sa do,po veç ji i kujdesshëm.
24 tetor-mëngjes
“Kështu ngopen drurët e Zotit” (Pemët e Zotit janë plot me limfë).
{Psalmi 104 :16}
Pa limfë pema nuk mund të lulëzojë ose madje edhe të ekzistojë. Forca jetësore është thelbësore për një të krishterë. Duhet të ketë jetë—një parim jetësor i vendosur brenda nesh prej Perëndisë Frymës së Shenjtë, ose përndryshe ne nuk mund të jemi pemët e Zotit. Thjesht emri i krishterë nuk është veçse një gjë e vdekur; ne duhet të mbushemi me Frymën e jetës hyjnore. Kjo jetë është misterioze. Ne nuk e kuptojmë qarkullimin e limfës, prej çfarë force ajo ngrihet dhe prej çfarë fuqie zbret përsëri. Kështu që jeta brenda nesh është një mister i shenjtë. Ripërtëritja është e jetësuar prej Frymës së Shenjtë që depërton brenda njeriut dhe bëhet jeta e tij; dhe më pas kjo jetë hyjnore te një besimtar ushqehet me mishin dhe gjakun e Krishtit dhe mbahet kështu prej ushqimit hyjnor,por prej nga vjen dhe ku shkon kush do të mund ta shpjegonte vallë?
Çfarë sekreti që është limfa! Rrënjët kërkojnë në tokë me degëzimet e tyre, por nuk mund t’i shohim të thithin ushqimet e ndryshme, ose të përçojnë lëndën joorganike te bima; kjo vepër kryhet në errësirë. Rrënja jonë është Krishti Jezus dhe jeta jonë është e fshehur në Të; ky është sekreti i Zotit. Baza e jetës së krishterë është po aq sekrete sa vetë jeta. Sa përherë vepruese që është limfa në kedër! Në të krishterin jeta hyjnore është gjithmonë plot me energji—jo gjithmonë në dhënien e frutave, por në veprime të brendshme. Hiret e besimtarit, nuk janë gjithmonë në lëvizje të vazhdueshme, por jeta e tij kurrë nuk pushon të rrahë përbrenda. Ai nuk po punon gjithmonë për Perëndinë, por zemra e tij jeton gjithmonë prej Tij. Ashtu si limfa e shfaq veten në prodhimin e gjetheve dhe të frytit të pemës, po ashtu me një të krishterë të vërtetë të shëndetshëm, hiri i tij shfaqet jashtë në ecjen dhe sjelljen e tij. Nëse flisni me të, ai nuk mund të mos flasë për Jezusin. Nëse vini re veprimet e tij do të shikoni se ai ka qenë me Jezusin. Ai ka aq shumë limfë përbrenda sa mbush sjelljen dhe fjalët e tij me jetë.
24 tetor-mbrëmje
“Filloi të lante këmbët e dishepujve.”
{Gjoni 13 :5}
Zoti Jezus e do popullin e Tij kaq shumë, sa çdo ditë Ai akoma po bën për të shumë gjëra që janë të ngjashme me larjen e këmbëve. Ai pranon edhe veprimet e tyre më të vogla; Ai ndjen pikëllimet e tyre më të thella; Ai dëgjon dëshirën e tyre më të vogël; dhe Ai fal çdo shkelje të tyre. Ai është akoma shërbëtori i tyre po ashtu si edhe Miku dhe Mjeshtri i tyre. Ai jo vetëm që kryen vepra të mrekullueshme për ta, duke vënë kapelën e peshkopit mbi ballë, gurët e çmuar duke shkëlqyer në gjoksoren e Tij dhe duke qëndruar në këmbë për të ndërhyrë për ta, por me përulësi, me durim Ai akoma shkon mes popullit të Tij me peshqirin dhe legenin. Ai e bën këtë kur largon prej nesh ditë pas dite dobësitë dhe mëkatet tona të vazhdueshme.
Natën e kaluar, kur ju ratë në gjunjë, ju rrëfyet me pikëllim se shumë prej sjelljes suaj nuk ishte e denjë për rrëfimin e besimit tuaj; dhe edhe sot, ju duhet të pikëlloheni përsëri se keni rënë përsëri në të njëjtën çmenduri dhe mëkat prej nga hiri i veçantë ju çliroi para shumë kohe; dhe akoma Jezusi do të ketë durim të madh me ju; Ai do të dëgjojë rrëfimin tuaj të mëkatit; Ai do të thotë, “Po, dua, ji i pastër;” Ai do të jetësojë përsëri gjakun e spërkatjes dhe do t’i flasë për paqe ndërgjegjes tënde dhe do të pastrojë çdo njollë. Është një akt i madh dashurie e përjetshme kur Krishti një herë e përgjithmonë shpengon mëkatarin dhe e vendos në familjen e Perëndisë, por çfarë durimi zemërgjerë që është kur Shpëtimtari me shumë vuajtje mban çmenduritë e shpeshta e të vazhdueshme të dishepujve të Tij të pabindur; ditë pas ditë dhe orë mbas ore, duke fshirë shkeljet e shumta të fëmijës së Tij të hallakatur, por prapëseprapë të shumëdashur! Të shterosh rrymën e rebelimit është një gjë e mrekullueshme, por të durosh rrjedhjen e vazhdueshme të shkeljeve të përsëritura—të durosh me përpjekje të përhershme, kjo është me të vërtetë hyjnore! Ndërsa ne gjejmë ngushëllim dhe paqe në pastrimet e përditshme të Zotit tonë, ndikimi i Tij legjitim ndaj nesh do të jetë rritja e vigjilencës tonë dhe gjallërimi i dëshirës sonë për shenjtëri. A po ndodh kështu?
25 tetor-mëngjes
“Për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë.”
{2 Gjoni 1 :2}
Nëse e lejoni të vërtetën e Perëndisë të depërtojë në zemrën njerëzore dhe të nënshtrojë të gjithë njeriun, asnjë pushtet njerëzor ose djallëzor nuk mund ta dëbojë dot. Ne e presim atë jo si mik por si i zoti i shtëpisë—kjo është domosdoshmëri e krishterë, nuk është i krishterë ai që nuk beson këtë. Ata që ndjejnë fuqinë gjallëruese të ungjillit dhe e njohin fuqinë e Frymës së Shenjtë ndërsa hap, jetëson dhe vulos Fjalën e Zotit, më mirë do të parapëlqenin të bëheshin copa copa se sa të shkuleshin larg ungjillit të shpëtimit të tyre. Sa mijëra mëshira janë të mbështjellur në sigurinë se e vërteta do të jetë përherë me ne; do të jetë mbështetja jonë e gjallë, ngushëllimi ynë në ditën e vdekjes, kënga jonë që ngrihet, lavdia jonë e përjetshme; ky është privilegji i të krishterit; pa të besimi ynë do të vlente pak.
Disa të vërteta i lëmë mbrapa, sepse nuk janë veç elementare dhe mësime për fillestarët, por ne nuk mund të sillemi kështu me të vërtetën Hyjnore, sepse edhe pse është ushqim i butë për fëmijët, është në kuptimin më të lartë ushqim i fortë për të rriturit. E vërteta se ne jemi mëkatarë qëndron në mënyrë të dhimbshme me ne, për të na përulur dhe për të na bërë vigjilentë; ajo e vërtetë më e bekuar akoma se kushdo që beson në Zotin Jezus do të shpëtohet, qëndron me ne si shpresa jonë dhe gëzimi ynë. Përjetimi, nuk na ka bërë që të lëshojmë mbërthimin e doktrinave të hirit, por përkundrazi na ka bërë njësh me to përherë e më fort; bazat dhe motivet tona për të besuar janë tani më të forta më të shumta në numër se asnjëherë dhe kemi arsye të presim se do të jetë kështu derisa në vdekje do të shtrëngojmë Shpëtimtarin në krahët tona. Kudo që dallojmë këtë dashuri të qëndrueshme të së vërtetës, jemi të detyruar të shfaqim dashurinë tonë. Asnjë rreth i ngushtë nuk mund të përmbajë dot dashamirësitë tona të hirshme; aq sa e gjerë është zgjedhja e hirit po aq duhet të jetë shoqërimi ynë i zemrës me të tjerët. Shumë gabime mund të përzihen me të vërtetën që kemi marrë; le të luftojmë kundër gabimit, por le të vazhdojmë të duam vëllain për atë masë së të vërtetës që shikojmë te ai; mbi të gjitha le të duam dhe të përhapim të vërtetën.
25 tetor-mbrëmje
“Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.”
{Ruthi 2 :3}
Dhe i rastisi të ndodhej. Po, dukej si një rastësi, por sa në mënyrë hyjnore që ishte drejtuar! Ruthi ishte nisur me bekimin e nënës së saj, nën kujdesin e Perëndisë të nënës së saj, për një punë modeste por të ndershme dhe providenca e Perëndisë po udhëhiqte çdo hap të saj. Asaj nuk ia merrte mendja kurrsesi se midis kallinjve do të gjente një burrë, se ai do ta bënte bashkëpronaren e të gjitha atyre arave të gjera; dhe se një e huaj e varfër si ajo do të bëhej një prej paraardhësve të Mesias së madh. Perëndia është shumë i mirë me ata që besojnë në Të dhe shpesh i zë në befasi me bekime. Pak e dimë se çfarë mund të na ndodhë nesër, por le të na gëzojë ky fakt i ëmbël, se asnjë gjë e mirë nuk do të kursehet. Fati nuk ekziston në besimin e të krishterëve, sepse ata shohin dorën e Perëndisë në gjithçka. Ngjarjet e rëndomta të së sotmes ose të së nesërmes mund të sjellin rrjedhoja të një rëndësie shumë të madhe.
O Zot, sillu po aq hirshëm me shërbëtorët e tu ashtu si bëre me Ruthin. Sa gjë e bekuar do të ishte, nëse duke bredhur sonte në fushën e përsiatjes, të rastiste të mblidhnim kallinj në vendin ku i Shumëdashuri ynë do të na shfaqej! O Frymë e Perëndisë, na udhëhiq te Ai. Më mirë të mbledhim kallinj në fushën e Tij se sa të marrim me vete të gjithë të korrurën prej një tjetri. O pafshim gjurmët e tufës së Tij, që mund të na shpien në kullotat e gjelbërta ku Ai banon! Kjo botë është e lodhshme kur Jezusi është larg—më mirë pa diell dhe hënë se sa pa Të—por sa në mënyrë hyjnore të gjitha gjërat bëhen të hirshme në praninë e Tij! Shpirti ynë e njeh virtytin që banon në Jezusin dhe nuk mund të jetë kurrë i kënaqur pa Të. Ne do të presim në lutje këtë natë derisa rastësia jonë të jetë të mbledhim kallinj në një pjesë are që i përket Jezusit ku Ai të mund të na shfaqet.
26 tetor-mëngjes
“Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?”, thotë Zoti i ushtrive, “për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet.”
{Hagai 1:9}
Shpirtrat kurnacë rrudhin dorën në ofertat për shërbesën dhe misionin; e quajnë një kursim të tillë një kursim të mirë; pak ia merr mendja se kështu po varfërojnë veten. Justifikimi i tyre është se i duhet të kujdesen për familjet e tyre dhe harrojnë se të lësh pas dore shtëpinë e Perëndisë është rruga e sigurtë për të rrënuar vetë shtëpitë e tyre. Perëndia ynë ka një metodë në providencë me të cilën Ai mund t’i sjellë mbarësi përpjekjeve tona përtej pritshmërive tona, ose mund të na përmbysë planet për vetë turpin dhe tronditjen tonë; me një gjest të dorës së Tij Ai mund ta drejtojë barkën tonë në një rrymë mbarësie ose mund ta rrënojë në varfëri dhe falimentim.
Është mësimi i Shkrimit se Zoti pasuron bujarin dhe lë koprracin të zbulojë se të mbash për vete çon në varfëri. Kam vërejtur në tërësi se të krishterët më zemërgjerë që kam njohur kanë qenë gjithmonë më të lumturit dhe më të begatët. Kam parë dhënësin bujar të rritet në pasuri që ai kurrë nuk kishte ëndërruar; dhe po aq shpesh kam parë koprracin zemërngushtë të zbresë në varfëri prej vetë atij kursimi me anë të cilit ai mendonte të ngrihej lart. Njerëzit i besojnë administruesve që kanë shuma të mëdha dhe po ashtu është shpesh me Zotin; Ai i jep me bollëk atyre që japin me shumicë. Kur Zoti nuk ka dhënë pasuri, gjithsesi Ai e kthen shumën e vogël në pasuri të madhe përmes kënaqësisë që ndjen zemra e shenjtëruar nga e dhjeta që i kushton Zotit. Egoizmi shikon së pari interesin e vet, por përshpirtshmëria kërkon së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij, prapëseprapë me kalimin e kohës egoizmi është humbje dhe përshpirtshmëria është fitim i madh. Besimi është i nevojshëm për të vepruar kundrejt Perëndisë me një dorë të hapur, por me siguri Ai e meriton këtë prej nesh; dhe gjithçka që mund të bëjmë është një rrëfim tejet modest i borxhit tonë të madh ndaj mirësisë së Tij.
26 tetor-mbrëmje
“Gjithë lumenjtë derdhen në det,por deti nuk mbushet kurrë;nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen përsëri.”
{Predikuesi 1 :7}
Çdo gjë tokësore është në lëvizje, koha nuk njeh prehje. Toka e fortë është një top rrotullues dhe vetë dielli i madh është një yll që ndjek i bindur trajektoren e tij përreth ndonjë ndriçuesi më të madh. Baticat lëvizin detin, erërat lëkundin oqeanin e hapur, fërkimi bluan shkëmbin; ndryshimi dhe vdekja sundojnë kudo. Deti është plot me pasuri në bollëkun e ujërave, por po ashtu si prej një force ujërat derdhen në të, prej një tjetër force ato ngrihen prej tij. Njerëzit lindin dhe vdesin; çdo gjë është nxitim, shqetësim dhe dëshpërim. Duke qenë një mik i Jezusit që nuk ndryshon, çfarë gëzimi që është të mendosh mbi trashëgiminë tënde të pandryshueshme; deti yt i lumnisë do të jetë përherë plot, përderisa vetë Perëndia do të derdhë aty lumenj të përjetshëm kënaqësie. Ne kërkojmë një qytet të përhershëm përtej qiejve dhe nuk do të zhgënjehemi. Teksti përpara nesh na mëson edhe mirënjohjen.
Deti është një marrës i madh, por është edhe një shpërndarës bujar. Atë që lumenjtë i sjellin ai ia kthen tokës në formën e reve dhe të shiut. Njeriu që merr gjithçka, por që nuk kthen nuk është në harmoni me universin. T’u japësh të tjerëve do të thotë të mbjellësh farë për veten. Ai që është administrator aq i mirë sa kërkon të përdorë të ardhurat e tij për Zotin, do t’i besohet akoma më shumë. Mik i Jezusit, a po i kthen Atij sipas të mirave që ke marrë? Të është dhënë shumë, cili është fryti yt? A ke bërë gjithçka? A nuk mund të bësh më shumë? Të jesh egoist do të thotë të jesh i lig. Përfytyroni sikur oqeani të mos jepte asnjë prej thesareve të tij ujore, kjo gjë do të sillte rrënim mbi racën tonë. Perëndia mos lejoftë që ndonjë prej nesh të mund të ndjek qëndrimin zemërngushtë dhe shkatërrimtar të së jetuarit për veten e vet. Jezusi nuk e deshi veten. Çdo plotësi banon në Të, por prej plotësisë së Tij ne të gjithë kemi marrë. Oh për hir të Jezusit, kështu pra të mos të jetojmë për veten tonë!
27 tetor-mëngjes
“Kjo fjalë është e vërtetë.”
{2 Timoteu 2 :11}
Pali kishte katër nga këto “fjalë që janë të vërteta.” E para është te 1 Timoteu 1 :15, “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t`u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.” Tjetra është te 1 Timoteu 4 :8,9, “Perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë. Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t`u pranuar në çdo mënyrë.” E treta është te 2 Tim 2 :12, “Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë; në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të.” Dhe e katërta është te Titi 3 :8, “Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira.” Ne mund të gjejmë një lidhje midis këtyre fjalëve që janë të vërteta. E para vendos themelin e shpëtimit tonë të përjetshëm në hirin falas të Perëndisë, ashtu siç na është treguar në misionin e Shpenguesit tonë të madh.
Tjetra shpreh bekimin e dyfishtë që ne fitojmë me anë të këtij shpëtimi—bekimet e burimeve të lartme dhe të poshtme, të kohës dhe të përjetësisë. E treta na tregon një prej detyrave për të cilën populli i zgjedhur është i thirrur; ne jemi të caktuar të vuajmë për Krishtin me premtimin se “në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të.” E fundit nxjerr në pah formën vepruese të shërbimit të krishterë, duke na urdhëruar që të ruajmë me zell veprat e mira. Kështu ne kemi rrënjën e shpëtimit në hirin falas; më pas, privilegjet e këtij shpëtimi në jetën që kemi në të tashmen dhe në jetën e ardhshme; po ashtu kemi gjithashtu të ngarkuara me frytet e Frymës dy degët e mëdha të vuajtjeve me Krishtin dhe shërbimit me Krishtin. Ruaji si të shtrenjta këto fjalë që janë të vërteta. Le të jenë udhërrëfyesit e jetës tonë, ngushëllimi ynë dhe mësimi ynë. Apostulli i johebrenjve dha dëshmi për to se ishin fjalë të vërteta,ato janë akoma fjalë të vërteta, as dhe një fjalë nuk do të bjerë në tokë; ato meritojnë të pranohen, le t’i pranojmë tani dhe të provojmë besnikërinë e tyre. Le të shkruhen këto katër fjalë të vërteta në të katër cepat e shtëpisë sime.
27 tetor-mbrëmje
“Jemi të gjithë si një gjë e papastër.”
{Isaia 64 :6}
Besimtari është një krijesë e re, ai i përket një brezi të shenjtë dhe një populli të veçantë—Fryma e Perëndisë është brenda tij dhe në çdo pikëpamje ai është zhveshur prej njeriut natyror, por akoma i krishteri është një mëkatar. Ai është kështu prej papërkryerjes së natyrës së tij dhe do të vazhdojë kështu deri në fund të jetës së tij tokësore. Gishtat e zinj të mëkatit lënë blozë mbi rrobat tona më të pastra. Mëkati prish pendimin tonë, para se Poçari i madh ta ketë mbaruar atë mbi çark.
Egoizmi njollos lotët tanë dhe mosbesimi trazon besimin tonë. Gjëja më e mirë që ne kemi kryer ndonjëherë pa meritën e Jezusit veçse ka fryrë numrin e mëkateve tona, sepse edhe atëherë kur jemi tepër të pastër nën vetë sytë tanë, prapëseprapë, ashtu si qiejt, ne nuk jemi të pastër nën sytë e Perëndisë; dhe ashtu si Ai i akuzoi engjëjt e tij me çmenduri, aq më tepër ne, madje edhe në gjendjen tonë më frymërore të mundshme. Kënga që ngrihet lart deri në qiell dhe kërkon të matet me melodinë prej serafini, ka brenda stonim njerëzor. Lutja që vë në lëvizje krahun e Perëndisë është akoma një lutje e dërrmishur dhe e vë në lëvizje vetëm sepse I Pamëkati, Ndërmjetësuesi i madh, ndërhyn për të fshirë mëkatin e përgjërimit tonë. Besimi më i artë ose shkalla më e pastër e shenjtërimit që një i krishterë ka arritur ndonjëherë mbi tokë, përmban akoma kaq shumë aliazh sa vlen vetëm për t’u hedhur në zjarr, nëse konsiderohet në vetvete. Çdo natë që shikohemi në pasqyrë, shikojmë një mëkatar dhe kemi nevojë të rrëfejmë, “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur.” Oh, sa i çmuar gjaku i Krishtit për të tilla zemra si tonat! Sa dhuratë e çmuar që është drejtësia e Tij e përkryer! Dhe sa e shkëlqyeshme shpresa e shenjtërisë së përkryer këtej e tutje! Edhe tani, edhe pse mëkati mbetet brenda nesh, fuqia e tij është e thyer. Ai nuk ka më pushtet; është një gjarpër i shtypur; ne jemi në konflikt të hidhur me të, por ne i bëjmë ballë një armiku të mposhtur. Akoma edhe pak dhe do të hyjmë fitimtarë në qytetin ku asgjë nuk ndot.
28 tetor-mëngjes
“Unë ju kam zgjedhur nga bota.”
{Gjoni 15 :19}
Këtu ka një hir dallues dhe zgjedhje të veçantë, sepse disa janë bërë objektet e veçanta të zemërdashurisë hyjnore. Mos kini frikë të qëndroni mbi këtë doktrinë të lartë të zgjedhjes. Kur fryma juaj është e rënduar dhe e trishtuar, do të zbuloni se është një pije tonike. Ata që dyshojnë doktrinat e hirit, ose që i mbulojnë me hije, humbin vilet më të pasura të Eshkolit; ata humbin verërat e rafinuara mirë, gjërat e dhjamura plot me palcë. Nuk ka balsam në Gilad të krahasuar me të. Nëse mjalti në pyllin e Xhonatanit ndriçoi sytë, ky është mjaltë që do t’u ndriçojë zemrat për të dashur dhe për të mësuar misteret e mbretërisë së Perëndisë.
Ha dhe mos druaj velje; jeto me këtë gjelle të zgjedhur dhe mos druaj se do të jetë për ty një dietë shumë e përzgjedhur. Ushqimi prej tryezës së Mbretit nuk do të dëmtojë asnjë prej oborrtarëve të Tij. Dëshiro që mendja jote të hapet akoma më shumë, që të mund të kuptosh akoma dhe akoma më shumë dashurinë e përjetshme, të përhershme dhe zgjedhëse të Perëndisë. Kur je ngjitur aq lart sa zgjedhja, qëndro në malin simotër, besëlidhja e hirit. Zotimet e besëlidhjes janë shkëmbinjtë e mrekullueshëm ku ne mbrohemi; zotimet e besëlidhjes me bashkë me kaparin, Krishtin Jezus, janë vendet prehëse e të paqme të shpirtrave të dridhur.
Zotimi i Tij, besëlidhja e Tij, gjaku i Tij,
Me mbështesin në ujërat e tërbuar;
Kur çdo mbështetje tokësore ikën tutje,
Këto akoma janë e gjithë forca dhe prehja ime.
Nëse Jezusi mori përsipër të më sjellë në lavdi dhe nëse Ati premtoi se do t’i jepem Birit për të qenë një pjesë e shpërblimit të pafund të punës së shpirtit të Tij, atëherë, shpirti im, veç nëse Perëndia nuk do të tregohej besnik, veç nëse Jezusi do të reshte të ishte e vërteta, ti qëndron i sigurtë. Kur Davidi kërceu ashtu përpara arkës, ai i tha gruas së tij Mikal se zgjedhja e shtyu që të bënte ashtu. Eja shpirti im, ngazëllehu me të madh përpara Perëndisë të hirit dhe kërce prej gëzimit të zemrës.
28 tetor-mbrëmje
“Koka e tij është ar i kulluar,kaçurrelat e flokëve të tij janë rica-rica,të zeza korb.”
{Kantiku 5:11}
Të gjitha krahasimet dështojnë për të nxjerrë në pah Zotin Jezus, por nusja bën më të mirën brenda mundësive. Me kokën e Jezusit ne mund të kuptojmë hyjninë e Tij, “kreu i Krishtit është Perëndia” dhe më pas shufra prej arit më të pastër është metafora që mund të përfytyrohet më mirë, por të gjitha janë shumë të varfra për të përshkruar Një kaq të çmuar, kaq të pastër, kaq të shtrenjtë, kaq të lavdishëm. Jezusi nuk është një cifël ari, por një glob i madh ari, një masë e paçmueshme thesari sa që as toka dhe qielli nuk mund t’ia kalojnë dot.
Krijesat janë thjesht hekur dhe argjilë, të gjitha do të zhduken si druri, sana dhe kamjalla, por Kreu i përjetshëm i krijesës së Perëndisë do të shkëlqejë akoma përherë e përherë. Në Të nuk ka përzierje, as gjurmë më të vogël aliazhi. Ai është përherë pafundësisht i shenjtë dhe po ashtu hyjnor. Kaçurrelat e flokëve të tij përshkruajnë fuqinë e tij burrërore. Nuk ka asgjë jo burrërore në Shumëtëdashurin tonë. Ai është njeriu më burrëror që ka jetuar ndonjëherë. I guximshëm si një luan, punëtor si një ka, i shkathët si një shqiponjë. Çdo bukuri e përfytyrueshme ose e papërfytyrueshme gjendet në Të, edhe pse një herë Ai u përçmua dhe u hodh poshtë prej njerëzve.
“Koka e tij si ari i kulluar;
E larë me parfum të ëmbël,
Kaçurrelat e tij rica-rica
Të zeza si pendët e korbit.”
Lavdia e kokës së Tij nuk largohet asnjëherë, Ai është përjetësisht i kurorëzuar me madhëri të pashoqe. Floku i zi tregon freski rinore, sepse Jezusi ka vesën e rinisë së Tij. Të tjerët me kalimin e moshës bëhen të plogësht, por Ai mbetet përherë Prift ashtu siç ishte Melkisedeku; të tjerët vijnë dhe shkojnë, por Ai qëndron përjetësisht si Perëndi mbi fronin e Tij. Ne do ta shikojmë Atë sonte dhe do ta adhurojmë. Engjëjt po e vështrojnë—të shpenguarit e Tij nuk duhet të largojnë sytë e tyre prej Tij. Ku vallë ka një të Dashur të tillë? Oh për një orë shoqërim me Të! Larg, ju shqetësime ndërhyrëse! Jezusi më tërheq dhe unë rend mbas Tij.
29 tetor-mëngjes
“Ju, pra, lutuni kështu: “Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.”
{Mateu 6 :9}
Kjo lutje fillon atje ku të gjitha lutjet e vërteta fillojnë, me frymën e adoptimit, “Ati ynë.” Nuk ka lutje të pranueshme derisa mund të themi, “Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë.” Fëmija shpejt dallon madhështinë e Atit “në qiell” dhe ngrihet në adhurim të devotshëm, “U shenjtëroftë emri Yt.” Pëshpëritja e fëmijës, “Aba, At,” rritet në një thirrje kerubini, “I shenjtë,i shenjtë, i shenjtë.” Nuk ka veçse një hap prej adhurimit të lartësuar në frymën e shndritshme misionare, që është një rezultat i sigurtë i dashurisë birnore dhe i adhurimit nderues—”Ardhtë mbretëria jotë, u bëftë vullneti Yt mbi tokë si në qiell.” Më pas vjen shprehja e përjetuar me zemër e varësisë te Perëndia—”Na jep sot bukën e përditshme.”
Duke qenë më tej i ndriçuar prej Frymës, ai zbulon se jo vetëm që varet te Perëndia, por është mëkatar, prandaj ai përgjërohet për mëshirë, “Na i fal fajet tona ashtu siç iu falim të tjerëve” dhe duke qenë i falur, duke pasur drejtësinë e Krishtit të numëruar dhe duke e ditur pranimin e tij në Perëndinë, ai përgjërohet përulësisht për një këmbëngulje të shenjtë, “mos lejo të biem në tundim.” Njeriu që është i falur me të vërtetë, është i merakosur për të mos bëjë shkelje përsëri; zotërimi i drejtësisë udhëheq tek një dëshirë e ethshme për shenjtërim. “Na i fal fajet tona,” ky është drejtësimi; “mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu,” ky është shenjtërimi në format e tij negative dhe pozitive. Si rezultati i të gjithë këtyre, vjen më pas një lavdërim triumfues, “jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen.” Ne gëzohemi se Mbreti ynë mbretëron në providencë dhe do të mbretërojë në hir, deri në fund të botës dhe nuk do të ketë fund për perandorinë e Tij. Kështu ky model lutjeje i shkurtër udhëheq shpirtin, prej një ndijim adoptimi në një shoqërim me Zotin tonë mbretërues.
29 tetor-mbrëmje
“Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.”
{Lluka 24 :16}
Dishepujt duhet ta kishin njohur Jezusin, ata patën dëgjuar kaq shpesh zërin e Tij dhe patën vështruar kaq herë fytyrën e Tij të prishur, sa është e habitshme që nuk e dalluan dot. Prapëseprapë a nuk ndodh po kështu edhe me ju? Ju nuk e keni parë Jezusin së fundmi. Ju keni qenë në tryezën e Tij dhe nuk e keni takuar atje. Ju jeni në një telash të madh sonte dhe edhe pse Ai thotë hapur, “Jam Unë, mos kini frikë,” prapëseprapë ju nuk e dalloni Atë. Sa keq! sytë tanë janë të penguar. Ne e njohim zërin e Tij; ne kemi parë fytyrën e Tij; ne kemi mbështetur kokën tonë në kraharorin e Tij dhe prapëseprapë, edhe pse Krishti është shumë afër nesh, ne themi “o sikur të dija ku mund ta gjeja!” Ne duhet ta njohim Krishtin, sepse kemi Shkrimet që reflektojnë imazhin e Tij dhe prapëseprapë ndodh shpesh që të hapim atë libër të çmuar dhe të mos fitojmë as dhe një shikim të Shumëtëdashurit!
Fëmijë i shtrenjtë i Perëndisë, a je në këtë gjendje? Jezusi afrohet midis zambakëve të fjalës, ti ecën midis atyre zambakëve dhe prapëseprapë nuk e sheh. Ai e ka zakon të ecë përmes lëndinave të Shkrimit dhe të ketë shoqërim me popullin e Tij, po ashtu si Ati bëri me Adamin në freskinë e ditës dhe prapëseprapë ti je në kopshtin e Shkrimit, por nuk mund ta shikosh Atë, edhe pse Ai është përherë atje. Dhe pse vallë nuk e shikojmë? Në rastin tonë, ashtu si në atë të dishepujve, kjo gjë vjen për shkak të mosbesimit. Me siguri ata nuk prisnin të shikonin Jezusin dhe prandaj nuk e njohën dot. Në një shkallë të madhe, në gjërat shpirtërore ne marrim atë që presim prej Zotit. Vetëm besimi mund të na shpjerë të shikojmë Jezusin. Le të jetë lutja juaj, “Zot, hap sytë e mi, që të mund të shikoj Shpëtimtarin tim të pranishëm me mua.” Është një gjë e bekuar të dëshirosh të shikosh Atë, por është shumë më mirë ta dallosh. Për ata që e kërkojnë Ai është i mirë, por për ata që e gjejnë, Ai është i shtrenjtë përtej çdo shprehie!
30 tetor-mëngjes
“Unë do të të kremtoj (përlëvdoj), o Zot.”
{Psalmi 9:1}
Përlëvdimi duhet të ndjekë përherë lutjen që ka marrë përgjigje; ashtu si mjegulla mirënjohëse e tokës ngrihet kur dashuria e diellit të qiellit ngroh tokën. A ka qenë për ty Zoti i hirshëm dhe a ka përkulur veshin e Tij drejt zërit të përgjërimit tënd? Atëherë përlëvdoje Atë po aq gjatë sa jeton. Fryti i pjekur le të bjerë mbi tokën pjellore nga ku thithi jetën e tij. Mos i moho një këngë Atij që i është përgjigjur lutjes tënde dhe që ka përmbushur dëshirën e zemrës tënde. Të jesh i heshtur në lidhje me mëshirat e Perëndisë është të tërheqësh mbi vete fajin e mosmirënjohjes; do të thotë të sillesh po aq ulët sa të nëntë lebrosët, që pasi u shëruan prej lebrozës nuk u kthyen për të falënderuar Zotin shërues. Të harrosh të përlëvdosh Perëndinë do të thotë të refuzosh t’i sjellësh dobi vetes, sepse përlëvdimi ashtu si lutja, është një prej mjeteve për të ndihmuar në rritjen e jetës shpirtërore.
Ai ndihmon për të hequr barrët tona, për të nxitur shpresat tona, për të rritur besimin tonë. Është një ushtrim i shëndetshëm dhe fuqidhënës që ngjall pulsin e besimtarit dhe i jep zemër për ndërmarrje të freskëta në shërbimin e Mjeshtrit të tij. Të bekosh Perëndinë për mëshirat e marra është gjithashtu rruga për t’i sjellë dobi edhe të afërmve tanë; “njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.” Të tjerë që kanë qenë në rrethana të tilla të ngjashme do të marrin ngushëllim nëse ne mund të themi, “Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e Tij; ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi.” Zemrat e dobëta do të forcohen dhe shenjtorët në rënie e sipër do të rigjallërohen teksa dëgjojnë “këngët tona të çlirimit.” Dyshimet dhe frikërat e tyre do të qortohen teksa ne mësojmë dhe këshillojmë njeri tjetrin në psalme, himne dhe këngë shpirtërore. Edhe ata gjithashtu “do të këndojnë rrugët e Zotit,” kur do të na dëgjojnë të madhërojmë emrin e Tij të shenjtë. Përlëvdimi është detyra më qiellore e të krishterit. Engjëjt nuk luten, por ata nuk pushojnë përlëvdojnë ditë e natë; dhe të shpenguarit, të veshur me rroba të bardha, me degë palme në duart e tyre, nuk lodhen kurrë duke kënduar këngën e re, “I denjë është Qengji.”
30 tetor-mbrëmje
“Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.”
{Kantiku i kantikëve 8 :13}
Zoti im i ëmbël Jezus e mban mend mirë kopshtin e Getsemanes dhe edhe pse Ai është larguar nga ai kopsht, tani banon në kopshtin e Kishës së Tij; atje Ai i hap zemrën atyre që ruajnë shoqërinë e Tij të bekuar. Ai zë dashurie me të cilin i flet të shumëdashurve të tij është më melodik se sa harpat e qiellit. Ka një thellësi dashurie melodike përbrenda zërit të Tij që lë mbrapa çdo muzikë njerëzore. Me mijëra mbi tokë dhe me miliona lart, kënaqen me notat e tij harmonike. Disa që i njoh mirë dhe që i kam shumë zili, po dëgjojnë në këtë çast zërin e dashur. O sikur të isha pjesëmarrës i gëzimeve të tyre! Është e vërtetë se disa nga këta janë të varfër, të tjerë që kanë zënë shtratin dhe disa afër portave të vdekjes, por o Zoti im, do të doja me gëzim të vdisja prej urie bashkë me ta, të vyshkem me ta, ose të vdes me ta, veç të mund të dëgjoja zërin Tënd. Një herë e dëgjoja atë shpesh, por kam trishtuar Frymën Tënde. Kthehu tek unë në dhembshuri dhe edhe një herë tjetër më thuaj, “Unë jam shpëtimi yt.”
Asnjë zë tjetër nuk mund të më gëzojë; e njoh zërin Tënd dhe nuk mund të mashtrohem prej një tjetri, më lër ta dëgjoj atë, të lutem. Nuk e di se çfarë do të thuash, as nuk vë ndonjë kusht, o i Shumëdashuri im, më lër me të vërtetë të të dëgjoj të flasësh dhe nëse është një qortim do të të bekoj për këtë. Ndoshta për të pastruar veshin tim të rëndë mund të jetë i nevojshëm një operacion shumë i dhimbshëm për mishin, por le të kushtojë sa të mundet për aq sa nuk largohem prej dëshirës së zjarrtë, më bëj që të dëgjoj zërin Tënd. Hap veshin tim përsëri; shpo veshin tim me notat e Tua më të forta, veçse mos më lejo që të vazhdoj i shurdhët në lidhje me thirrjet e Tua. Sonte, Zot, plotësoja të pavlershmit tënd dëshirën e tij, sepse të përkas Ty dhe Ti më ke blerë me gjakun tënd. Ti ke hapur sytë e mi për të të parë dhe kjo pamje më ka shpëtuar. Zot, hap veshin tim. Unë kam lexuar zemrën Tënde, tani më lër të dëgjoj prej buzëve të Tua.
31 tetor-mëngjes
“Përtëri tek unë një frymë të patundur.”
{Psalmi 51 :10}
Një i krishterë i paqëndrueshëm, nëse ka një shkëndijë jete të mbetur në të do të gulçojë pas rimëkëmbjes. Në këtë rimëkëmbje i njëjti ushtrim hiri kërkohet po ashtu si edhe në kthimin tonë në besim. Ne patëm nevojë për pendim atëherë; me siguri që kemi nevojë për të edhe tani. Në fillim, ne kishim nevojë për besim që të mund të vinim te Krishti; vetëm i njëjti hir mund të na sjellë te Jezusi tani. Ne kishim nevojë për një fjalë nga Shumëilarti, një fjalë prej buzës së Shumëtëdashurit, për t’i dhënë fund asokohe druajtjeve tona; ne do të zbulojmë së shpejti, kur jemi nën një ndijim mëkati të tanishëm, se kemi nevojë për një fjalë menjëherë. Asnjë njeri nuk mund të ripërtërihet pa një shfaqje po aq reale dhe të vërtetë të energjisë së Frymës së Shenjtë sa edhe ndjeu në fillim, sepse puna është po aq e madhe dhe mishi dhe gjaku ndërhyjnë tani po aq sa më përpara. Le të jetë dobësia jote, o i krishterë, një argument për të të bërë t’i lutesh me këmbëngulje Perëndisë tënd për ndihmë.
Kujto, Davidi kur e ndjeu veten të pafuqishëm, nuk ndenji këmbë e kryq ose mbylli gojën, por nxitoi për tek froni i mëshirës me fjalët “përtëri tek unë një frymë të patundur.” Mos u përgjumni nga doktrina që thotë se të pandihmuar ju nuk mund të bëni asgjë, por le të jetë një hosten në krahun tënd për të të çuar me një këmbëngulje të ethshme te Ndihmësi i fuqishëm i Izraelit. Oh paçit hir për t’ju lutur Perëndisë, po ashtu si do të luteshit edhe për jetën tuaj—”Zot, përtëri tek unë një frymë të patundur”. Ai që i lutet me sinqeritet Perëndisë për këtë, do të vërtetojë ndershmërinë e tij duke përdorur mënyrën me të cilën Perëndia vepron. Ji shumë në lutje, jeto shumë me Fjalën e Perëndisë; vrit epshet që kanë larguar Zotin prej teje; ki kujdes në lidhje me ngritjet e ardhshme të mëkatit. Zoti ka vetë shtigjet e Tij të caktuara; ulu mënjanë dhe do të jesh gati kur Ai kalon aty pranë. Vazhdo në gjithë këto urdhërime që do të ndihmojnë dhe që do të të ushqejnë hiret e tua të mekura; dhe duke ditur se e gjithë fuqia duhet të vijë prej Atij, mos resht të thërrasësh, “përtëri tek unë një frymë të patundur.”
31 tetor-mbrëmje
“Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.”
{Osea 13 :5}
Po, Zot, Ti më njohe me të vërtetë në gjendjen time të rënë dhe Ti më zgjodhe madje edhe atëherë për veten Tënde. Kur isha i neveritshëm dhe i vetë-urryer, Ti më prite me të vërtetë si fëmija jot dhe plotësove me të vërtetë nevojat e mia. I bekuar përherë qoftë emri Yt për këtë mëshirë falas, të pasur dhe të bollshme. Që atëherë, përjetimi im i brendshëm ka qenë shpesh një shkretëtirë, por Ti më ke pranuar akoma si i shumëdashuri jot dhe ke derdhur ujëra dashurie dhe hiri në mua për të më gëzuar dhe për të më bërë të frytshëm. Po, kur rrethanat e mia të jashtme kanë qenë më të këqijat dhe jam hallakatur në një tokë të thatë, prania Jote e ëmbël më ka ushqyer. Njerëzit nuk më kanë njohur kur përçmimi më ka prekur, por Ti ke njohur shpirtin tim mes kundërshtimeve, sepse asnjë pikëllim nuk venit shkëlqimin e dashurisë Tënde. Zot plot me hir, të madhëroj për të gjithë besnikërinë tënde kundrejt meje në rrethana sprovuese dhe më vjen keq kur të kam harruar dhe në të njëjtën kohë kam qenë i gëzuar në zemër, ndërkohë që i detyrohem për gjithçka mirësisë dhe dashurisë Tënde. Ki mëshirë ndaj shërbëtorit tënd në këtë gjë!
Shpirti im, nëse Jezusi të ka njohur kështu në gjendjen tënde të ulët, sigurohu se tani e ke pranuar Atë dhe çështjen e Tij tani që gjendesh në begatinë tënde. Mos u fry prej sukseseve të kësaj bote aq sa të kesh turp prej së vërtetës ose kishës së varfër me të cilën je bashkuar. Ndiq Jezusin në shkretëtirë; mbaj kryqin me Të kur nxehtësia e përndjekjes rritet. Ai të pranoi ty, o shpirti im, në varfërinë dhe turpin tënd,–mos ji kurrë aq tradhtar sa të kesh turp prej Tij. Oh çfarë turpi nëse na vjen turp nga i Shumëdashuri ynë i zgjedhur! Jezus, shpirti im rri ngjitur me Ty.
Drejt Teje do kthehem në kohë drite
Po ashtu si në netë shqetësimi,
Ti shndrit mes gjithçka që shkëlqen!
Ti më i hijshmi i të hijshmëve!