Një ditë për t’u mbajtur mend!
Predikimi numër 2665
Nga Charles Spurgeon
Në Tabernakullin Metropolitan, Njuington
Dhe Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi.” —Lluka 19:9
Vini re miq të dashur se Zoti ynë i tha këto fjalë Zakeut. Disa nga ne do të kishin menduar se këto fjalë iu drejtoheshin murmuritësve, por në të vërtetë nuk iu drejtoheshin këtyre. Këta mund ta kenë dëgjuar dhe murmurimat e tyre mund ta kenë marrë përgjigjen, por qëllimi kryesor i Zotit tonë të bekuar tek shqiptonte këto fjalë nuk ishte t’u përgjigjej murmuritësve, por të ngushëllonte dikë që mund të ndihej i dëshpëruar nga murmurimat e tyre. Prandaj Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi.”
Është gjithnjë më mirë të ngushëllosh besimtarët sesa t’i përgjigjesh kundërshtarëve. Kundërshtarët vështirë se meritojnë ndonjë replikë, sepse ata janë të sigurt se do të gjejnë kleçka përsëri; është sipas natyrës së tyre ndërsa sillen kështu. Ndërsa përsa i përket të shkretit popull të dëshpëruar të Perëndisë që e merr me gëzim të vërtetën e Perëndisë dhe megjithatë i duhet të durojë vërejtje të ashpra, le të ngazëllohet, sepse a nuk tha vetë Zoti “ngushëlloni, ngushëlloni popullin Tim.”
Tani, çfarë mund t’i japë Zakeut ngushëllim më të madh sesa Zoti Jezu Krisht duke i dhënë dëshmi faktit të shpëtimit të tij. Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi.”
Ma merr mendja se do të dëgjoja ndonjë nga ju të thotë se “ne duhet ta mbajmë për ditën më të lumtur në jetën tonë nëse Zoti Jezu Krisht të vinte e të na thoshte se shpëtimi ka hyrë te ne.” Por, të dashur, ju nuk mund ta ktheni prapë, në mish, që t’jua thotë, sepse Ai u largua për të vazhduar shërbimin diku tjetër, ndër të tjera, Ai shkoi për të përgatitur një vend për ju që besoni në Të.
Por Fryma e Tij është hyjnore njëlloj, dhe Ai është me Të si përherë; dhe ju mund të keni Frymën e Perëndisë që i jep dëshmi frymës suaj se ju jeni bijtë dhe bijat e Perëndisë. Madje kam besimin se jo vetëm se besoni se mund ta keni këtë dëshmi, por edhe se e keni marrë me të vërtetë—ju keni marrë atë provë të fshehtë, të pazhurmë, të brendshme, që askush nuk e kupton përveç atij që e strehon përbrenda dhe ju e dini, në shpirtrat tuaj, se keni kaluar nga vdekja në jetë, sepse Fryma e Shenjtë ka vulosur këtë të vërtetë të Perëndisë në zemrën tuaj. Kështu pra, miq të dashur, jini të gëzuar, jini tepër të ngazëllyer. Nëse ka ndonjë gjë që bën një njeri të hidhet përpjetë nga gëzimi, kjo gjë duhet të jetë siguria e shpëtimit të përjetshëm. Nëse shpëtimi ka ardhur në zemrat tuaja ju duhet të jeni po aq të lumtur sa një engjëll; mendoj se ka disa arsye pse ju duhet të jeni akoma më të gëzuar akoma, sepse një engjëll nuk mund të njohë me përvojë vetjake, lumninë e të pasurit mëkatet të falura. Ju që e keni kuptuar këtë bekim të mrekullueshëm, duhet ta bëni shkretëtirën dhe vendin e vetmuar të kumbojë me melodinë e lutjeve tuaja të falënderimit dhe me muzikën e kënaqësisë tuaj mirënjohëse ju do ta bënit shkretëtirën të lumturohet e të lulëzojë si trëndafil. Oh çfarë lumnie që është të jesh i sigurt nga vetë Fryma e Shenjtë se keni kaluar nga vdekja në jetë dhe se shpëtimi me të vërtetë ka hyrë te ju! E gëzofshin shumë nga ju këtë lumni që prej kësaj ore!
Le të vijmë tani drejtpërdrejt te teksti. “Sot” thotë Krishti, “në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi.” Nuk keni për ta harruar përvijimin e predikimit, sepse është shumë i thjeshtë dhe që mund të mbahet mend lehtë.
Së pari, Sot, çfarë? Së dyti, Sot, pse? Së treti, Sot, pse jo?
I- Së pari, Sot, çfarë? çfarë ka sot?
Duket sikur ai e shënon këtë ditë nga gjithë koha e kaluar dhe sikur thotë në lidhje me të, “sot,—këtë ditë të veçantë, në këtë ditë,—shpëtimi ka hyrë te ty.” Le të jetë pra kjo ditë një ditë e shenjtë dhe le të jetë pushim; le të përmendet për shumë vite; po le të kujtohet përherë e përjetësisht gjithashtu. “Kjo ditë.”
Ju e dini se ka ca njerëz që respektojnë ca ditë për të cilat Perëndia nuk i ka urdhëruar në çfarëdo mënyrë qoftë. Galatët e bënë këtë gjë dhe prandaj Pali i shkroi, “Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.” Ne nuk gjykojmë ata që veprojnë sot në mënyrë të ngjashme, por gjithsesi, ashtu si Pali, kemi frikë për ta, domethënë, kemi frikë së ata gabojnë në atë që bëjnë. Por ka ca ditë që Perëndia urdhëroi që të respektohen.
E para ishte dita kur vepra e krijimit kishte përfunduar, në lidhje me të cilën ne lexojmë, “në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.” Përfundimi i veprave kur “Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë,” meriton që të mbahet mend. Dhe a nuk meriton gjithashtu krijesa e re të mbahet mend? Kur Zoti krijon në një njeri një zemër të re dhe një frymë të drejtë, a nuk do t’i thoni njeri tjetrit, “kjo ditë—kjo ditë e hareshme—kjo ditë hyjnore, kjo ditë e krijesës së re—është për t’u mbajtur mend shumë veçanërisht.
Nga praktika e apostujve është e qartë se Zoti kërkon nga ne të respektojmë ditën e parë të javës, sepse ishte dita e ringjalljes së Krishtit nga vdekja, dita e mbarimit të shpengimit tonë; dhe le të përkujtojmë shpengimin e plotë edhe më tepër se sa krijimin e plotë. Një njeri i shpëtuar a nuk do të kremtonte posaçërisht ditën kur ai u shpengua nga mëkati i tij. A nuk do ta vlerësonte ai si të denjë për t’u respektuar, me ritet e shenjta të predikimit, lavdërimit, lutjes dhe ta kujtonte me mirënjohje për sa gjatë që ai jeton. Çdo besimtar mund të thotë për ditën e Zotit, “Sot, Zoti shpengoi shpirtin tim nga toka e armikut dhe më bëri të lirë përgjithmonë.” Perëndia ka caktuar veç një ditë për t’u mbajtur si më e shenjta mbi të gjitha; dhe ajo është dita e Zotit. Ditët e Krishtlindjes dhe të premtet e mira, dhe periudha të tilla, respektohen vetëm prej traditës së njeriut, por Shabati është urdhëresë e Perëndisë dhe duhet të respektohet si emblema e prehjes. Tani, patjetër, kur një njeri hyn në prehje, dhe “ne që besuam hyjmë në prehje,” atëherë ajo ditë duhet të respektohet veçanërisht nga ai. Duhet të bëhet një Shabat në Zotin përgjatë gjithë jetës së njeriut, ajo ditë e lumtur në të cilën shpëtimi hyri në të. Le të qëndrojë pra “kjo ditë” si një ditë e veçantë në kalendarin tuaj, nënvizojeni me një vizë të kuqe, nëse doni; ose shënojeni me një vulë të artë dhe le të kujtohet gjithmonë.
Zoti ynë i tha Zakeut, “Sot shpëtimi ka hyrë në këtë shtëpi.”
-Nga këto fjalë mësoj, së pari, se shpëtimi është një bekim i shpejtë.
Ai mund të vijë në një shtëpi në një ditë, madje, më tepër akoma, mund të fitojë në një ditë zemrën e një njeriu, madje, për të shkuar më larg, kjo vepër e madhe mund “të përmbushet në një çast të vetëm.”
Ma ha mendja se rilindja është me të vërtetë një gjë që nuk kërkon ndonjë periudhë të madhe kohore; vetëtimthi dhe ja, u bë. Nëse një njeri është i vdekur dhe rikthehet në jetë; mund të ketë te ai, nga disa pikëpamje, një veprim të shkallëzuar, dhe mund të duhen ca kohë para se ai të jetë në gjendje të ecë, por duhet të ketë një farë çasti kur ka jetë në njeriun, meqë, një çast më përpara, në të nuk kishte jetë. Gjallërimi i vërtetë duhet të jetë diçka që është e menjëhershme në mënyrë që vepra e shpëtimit në një njeri të mos mund të kryhet vetëm këtë ditë, këtë orë ose këtë çerek ore, por këtë minutë madje, edhe këtë sekondë. Midis dritës dhe errësirës zakonisht ka një periudhë muzgu, dhe e njëjta gjë është në shpirt, por edhe në muzg, ka një dozë dritë, dhe duhet të ketë një çast kur rrezja e dritës e parë e vërtetë fillon të brejë errësirën prej abanozi. Kështu pra, duhet të ketë një çast kur hiri së pari hyn në shpirt dhe njeriu, që më përpara ishte pa hir, bëhet me hir. Mendoj se kjo është një pikë e rëndësishme për t’u mbajtur mend. Ju të shkretët shpirtra të gënjyer, që shpresoni të shpëtoni vetën me veprat tuaja, duhet që të vazhdoni gjatë gjithë jetës tuaj këtë punë të padobishme dhe edhe kur të dergjeni duke vdekur, mund të jeni të sigurt se nuk jeni të shpëtuar nëse e keni vendosur besimin te veprat e tuaja. Por ai që beson në Jezu Krisht është i shpëtuar menjëherë dhe mund të këndojë me hare,
“marrëveshja e madhe u bë, u bë!
i përkas Zotit, e Ai është imi”
Ky është një fakt i bekuar, që shpëtimi të mund të hyjë në një shpirt mu këtë orë, madje ashtu si jua përmenda tashmë, shumë para se akrepi i orës të mund të arrijë fundin e kësaj ore, shpëtimi mund të ketë hyrë në shumë zemra që janë në këtë vend, aq sa me të vërtetë hyri në shtëpinë e Zakeut.
-Pastaj mësoj nga teksti ynë se shpëtimi është një bekim i dallueshëm: “Sot shpëtimi ka hyrë në këtë shtëpi.” Krishti e dallonte, kështu që ishte diçka që dallohej. Po, dhe shpëtimi ishte dalluar edhe nga vetë Zakeu dhe frytet e tij u dalluan shpejt nga ata që ishin në shtëpi bashkë me të. Mos mendoni se një njeri mund të shpëtohet dhe ndërkohë të mos dijë asgjë në lidhje me ndryshimin e madh të kryer në të. Jo çdo njeri mund të thotë me siguri së është i shpëtuar, sepse besimi është një çështje rritjeje dhe siguria mund të mos vijë menjëherë, por kur një njeri është me të vërtetë dhe tërësisht i shpëtuar, ai nuk ka veç të përdorë mjetet e duhura dhe mund të bëhet tërësisht i sigurt në lidhje me të. Perëndia Fryma e Shenjtë ka vullnetin dhe po pret që t’i japë sigurinë e plotë të besimit dhe të kuptimit atyre që e kërkojnë në duart e Tij.
-Pastaj shpëtimi është një bekim i përkryer: “Sot shpëtimi ka hyre në këtë shtëpi.” Mirëpo, deri aq vonë sa dje, ky njeri as që nuk e kishte parë Jezusin. Një gjysmë orë më parë, po ngjiste një pemë, si një kalama, me asnjë dëshirë përveç se të shikonte një herë Jezusin; dhe tani ky njeri është i shpëtuar! “Po,” thotë Krishti, “sot shpëtimi ka hyrë në këtë shtëpi.” Por, sigurisht, që ti nuk po flet kaq për mirë për një njeri që erdhi sot në mbrëmje i pashpëtuar dhe që sapo e ka vendosur besimin e tij në Jezus. Ti do të thuash se ai ka arritur një shkallë shpresëdhënëse në përvojën e tij dhe se, pas disa vitesh, ndoshta mund të ndodhë që të jetë me të vërtetë i sigurt se është një njeri i shpëtuar.
Nuk dua fare të them këtë; dua të them çfarë teksti nënkupton. Teksti nënkupton faktin së në çastin kur Zoti Jezus Krisht kaloi pragun e derës së Zakeut, mëkatet iu falën Zakeut, zemra iu përtërit, fryma iu ndërrua dhe ai ishte një njeri i shpëtuar. “Por,” ndonjë pyet, “a ka ndonjë njeri që shpëtohet para se të vdesë,” Po, patjetër. Njerëzit për të cilët apostulli Pal shkroi ishin të vdekur, “sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.” Ata ishin burra dhe gra të gjallë, megjithatë apostulli tha se ata ishin të shpëtuar dhe me të vërtetë të tillë ishin. Dhe në këtë çast këtu ka me qindra mijëra besimtarë në Jezus, mbi faqen e kësaj toke, të cilët janë po aq të shpëtuar tani sa do të jenë kur do të qëndrojnë përpara fronit të zjarrtë të Perëndisë “pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë.”
Sipas gjykimit të Perëndisë, me anë të virtytit të flijimit të Zotit Jezus Krisht në të cilin po mbështeten me anë të besimit, ata janë të çliruar nga dënimi, kanë shpëtuar nga sundimi i mëkatit, dhe në një fjalë, ata janë të shpëtuar. Kështu pra, ju e shikoni miq të shtrenjtë së shpëtimi është një bekim i përkryer.
-Vini re, më pas, se shpëtimi është një bekim thesar. Një njeri që beson në Krisht është i shpëtuar menjëherë, por ndërkohë ai nuk e di tërësisht se sa shumë do të thotë ajo fjalë “i shpëtuar.” Është si një kuti e madhe që mbërrin në një shtëpi dhe fillon ta hapësh dhe të nxjerrësh në fillim një gjë, pastaj një gjë tjetër. Ti thua, “ja, kjo është e gjitha.” “Oh, jo!” thotë një tjetër, që shikon më me vëmendje, “këtu ka një pako tjetër.” “Mirë pra, kjo është e gjitha; nuk ka gjë tjetër veç kashtës tani në fund të kutisë. Vë dorën brenda dhe thërret, “Pa shih!” ka diçka më tepër, e diçka më tepër, sa thesarplotë që është! Dhe sa thesarplotë shpëtimi është! Nuk e merr me mend se çfarë ka në të, jo vetëm falja e mëkateve, por edhe drejtësi shpenguese; jo vetëm atë por rigjallërim, një zemër të re dhe një frymë të drejtë; jo vetëm atë, por shenjtërim, adoptim, pranim, fuqi në lutje, ruajtje, këmbëngulje, fitore; po, ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të Atij që na deshi; dhe të gjitha këto janë në kuti. Po, dhe akoma më shumë gjithashtu, sepse ne do të kemi një largim të sigurt e të lumtur nga kjo botë dhe një hyrje të bollshme në mbretërinë e përjetshme të Perëndisë, Atit tonë. E gjitha kjo është në kuti; dhe e gjitha kjo hyri në shtëpinë e Zakeut kur Zoti Jezus Krisht erdhi atje; dhe edhe ju e keni të gjithë këtë nëse keni Krishtin, sepse gjithçka është në Krishtin. Ju e dini se si Ai tha, “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im;” dhe Pali i shkroi Korintasve, “të gjitha gjërat janë tuajat; Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.” Ju nuk do të arrini kurrë deri në fund të asaj kutie që mban emrin “shpëtim.” Sa do që të mëdha të jenë nevojat tuaja, ju mund të vazhdoni të nxirrni nga ajo gjithçka që kërkoni dhe akoma do të mbesë më tepër; ose, për të marrë një figurë tjetër, shpëtimi është një pus gufues, nga i cili aq më shumë nxirrni aq më shumë mbetet, sepse puset e përdorur janë më të pijshmit dhe zakonisht më të mbushurit plot. Kështu, sillni kovat në pusin e madh të hirit ungjillor që po gufon deri në këmbët tuaja. Kështu pra, ju e shikoni se shpëtimi është një bekim thesar.
– Dhe pastaj, shpëtimi është një bekim përhapës, sepse shpëtimi hyri në shtëpinë e Zakeut,—jo vetëm te ai, por mendoj se do të thotë edhe te gruaja e tij, fëmijët e tij dhe shërbëtorët e tij. Nuk më pëlqen kurrë të lë jashtë shërbëtorët, edhe pse kam frikë së ata janë shpesh jashtë. Ju shërbëtorë që jetoni në familje të krishterë hapni sytë se mos liheni jashtë, sepse kujtoni se Noeu edhe pse ishte një njeri i mirë nuk mori bashkë me të dhe me familjen e tij asnjë shërbëtor në arkë. Kujtohuni se edhe Loti, ishte një njeri i mirë prej një soji të varfër, dhe se ai mori vetëm dy fëmijët e tij jashtë Sodomës dhe asnjë shërbëtor nuk shkoi me ta. Është e trishtë nëse jeton dhe punon në mes të krishterëve dhe megjithatë ti vetë mbetesh i pashpëtuar. Shpresoj dhe besoj se, në rastin e Zakeut, të gjithë në shtëpinë e tij u shpëtuan kur shpëtimi erdhi atje.
-Por, një gjë më tepër, shpëtimi që hyri në shtëpinë e Zakeut, ishte një bekim ndenjës, sepse nuk lexoj askund se u largua. Nëse shpëtimi hyn në shtëpinë e një njeriu, ai vjen për të qëndruar atje, ashtu sikurse Krishti i tha Zakeut, “duhet të rri në shtëpinë tënde.” Nuk mund të besoj kurrë në një njeri i shpëtuar për një kohë, pastaj i larguar prej hirit, dhe i detyruar të fillojë gjithçka nga e para. Nëse nuk mbahet përgjatë rrugës së tij deri në fund, është e qartë së në të vërtetë nuk ishte shpëtuar aspak. Ashtu siç jua kam thënë shpesh, mund të kuptoj që një njeri është i ripërtërirë; domethënë, i rilindur, por pastaj disa njerëz na thonë së është e mundur për të, më pas, ta humbasë hirin.
Po çfarë ka për të ndodhur me të herën tjetër? Pa shih, ma merr mendja se ai duhet të ri-ripërtërihet—të ri-rilindet, por unë nuk lexoj gjëkundi, në Shkrimet, ndonjë gjë të këtij lloji. Një njeri mund të rilindë një herë, por ai nuk mund të rilindë përsëri dhe përsëri, dhe përsëri dhe përsëri dhe përsëri, dhe përsëri. Kjo nuk mund të ndodhë; kur vepra e ripërtëritjes është kryer një herë, është e kryer përjetë. Veprës së njeriut i vjen fundi, por vepra e Perëndisë nuk dështon. Ai që është lindur nga Perëndia është po aq i pavdekshëm sa Perëndia vetë; jeta e re, që hyn në njeriun e shndërruar nga Perëndia, nuk mund të vdesë. Sa shpesh bëj që të kumbojnë në veshët e miqve tanë ato fjalët e lavdishme të Zotit tonë, “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m`i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.” Lum njeriu në shtëpinë e të cilit hyn shpëtimi, sepse ai vjen për të qëndruar pa fund. Kjo duhet të mjaftojë për pjesën e parë; Sot, çfarë?
II. Tani, së dyti, do të meditojmë për një tjetër aspekt të subjektit, Sot, pse? Përse shpëtimi hyri në shtëpinë e Zakeut atë ditë?
Përgjigjja ime është sepse atë ditë, Zakeu u thirr me hir të efektshëm dhe kur hiri i efektshëm vjen në cilindo, sjell shpëtimin. “Prandaj, vëllezër,” siç thotë Pjetri, “përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj,” sepse këto janë “gjërat që i takojnë shpëtimit.” Nëse jeni të sigurt se jeni të thirrur nga Perëndia, le të jeni më se të sigurt se jeni të shpëtuar, sepse “sot”—ditën kur një njeri është i thirrur në mënyrë të efektshme nëpërmjet hirit, këtë ditë shpëtimi hyn patjetër në shtëpinë e tij.
Vini re, miq të shtrenjtë, Perëndia zgjodhi popullin e Tij sipas qëllimit të Tij të përjetshëm, por shpëtimi nuk hyri në shtëpinë e tyre atë ditë. Ata në atë kohë nuk dinin asgjë në lidhje me të, sepse nuk kishin lindur akoma. Krishti shpengoi popullin e Tij kur vdiq në kryq, mirëpo shpëtimi nuk hyri në shtëpinë e tyre atë ditë, sepse shumica e tyre nuk ekzistonin akoma. Por, kur u mbush koha, ungjilli iu predikua dhe ata e dëgjuan; prapëseprapë, në çdo rast, shpëtimi nuk hyri në shtëpinë e tyre atë ditë, sepse edhe pse e dëgjuan, e hodhën poshtë. Por në çastin kur ai hir i efektshëm i thotë cilido qoftë, “sot duhet të rri në shtëpinë tënde,” ai hir menjëherë fiton pranimin dhe shpëtimi në çast hyn në shtëpinë e atij njeriu. Ju e mbani mend se çfarë apostulli Pal i shkroi Romakëve: “ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.” Këto bekime të mëdha janë të lidhur bashkë, si vargonjtë e një zinxhiri dhe që nuk mund të shkëputen. Thirrja është e ndërthurur me shfajësimin dhe zinxhiri është i bërë në mënyrë të tillë që të dy vargonjtë të mos ndahen kurrë. Dhe pastaj shfajësimi është i ndërthurur me përlëvdimin aq mirë sa nuk mund t’i ndani. Asnjeri nuk do të kishte sukses në përpjekjet e tij për t’i shkëputur. Djalli mund të tërheqë dhe të rrahë me çekiç sa të dojë, po ama gjithë përpjekjet e tij do të jenë të kota. Ndonjëherë e kam krahasuar këtë pjesë të Romakëve me një urë të varur midis tokës dhe qiellit: “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.” Nëse e keni këmbën të bazuar fort mbi hirin e efektshëm, jini më se të sigurtë se do të jeni të zotë të përshkruani të gjithë pjesën e mbetur të urës dhe më se të sigurt se do të arrini anën tjetër për të qenë “përherë bashkë me Zotin.”
Po nga e dimë ne se Zakeu me të vërtetë u thirr! Do të përgjigjem në mënyrë të tillë që të dini nëse edhe ju jeni thirrur apo jo.
-Thirrja e Zakeut ishte një thirrje e efektshme, së pari, sepse ishte një thirrje personale. Ai ishte mbi një fik dhe dëgjoi thirrjen e Krishtit, “Zake.” “Pa shih” thotë ai, “ky është emri im, po më thërret.” “Zake, zbrit shpejt poshtë.” “Pra ai e shikon se jam këtu lart; përshkrimi i tij i përshtatet saktësisht rastit tim.” Tani kur ju vini dhe më dëgjoni të predikoj ungjillin, unë përpiqem t’u vë përpara të vërtetën e Perëndisë në një mënyrë të qartë dhe shumë troç. Disa thonë se është e gabuar të jesh personal në predikim, por unë gjithmonë përpiqem të jem aq personal sa mundem. Ndërkohë e di se shumë nga dëgjuesit e mi kalojnë gojë më gojë fjalën që i them atyre. “Oh! kjo i vjen për shtat zotit Filan-Fistekut. Jo, zotëri i dashur,—është për ty, po ti nuk do ta marrësh me vete në shtëpi si për veten tënde. Por kur vetë Zoti Jezus Krisht thërret atëherë ai njeri thotë oh! Nuk besoj se predikuesi më shikon mirë këtu ku jam, megjithatë ai po më flet pikërisht mua, jam i sigurt se po. Sa e çuditshme! Ai sapo përmendi diçka që nuk mund t’i ketë ndodhur asnjërit përveç meje; ai përshkroi me saktësi rastin tim.” Këto janë kohë kur Perëndia është gati të bekojë shpirtin,—kur një njeri e ndjen veten të zgjedhur nga pjesa tjetër e bashkësisë dhe qitësi ungjillor po e ka nën rrezen e tij me pushkën e hirit. Lutem që plumbi i bekuar i ungjillit të gjejë strehë në qendrën e zemrës tënde dhe të të sjellë poshtë nën këmbët e Jezusit si një i penduar vajtues: “Zake! Zoti e dinte se ky ishte emri i njeriut sipër fikut; dhe ai njeh gjithashtu emrin dhe karakterin tuaj; dhe kur ai do t’ju thërrasë me hir të efektshëm, do ta mbajë fotografinë tuaj lart dhe do t’ju bëjë të thoni, “po, ky është portreti im; nuk ka asnjë tjetër pikërisht si ky.”
-Më pas, ishte një thirrje mbretërore. Jezusi i tha Zakeut, “Sot duhet të rri në shtëpinë tënde.” Një nga proverbat tona thotë, “duhet është për mbretin;” dhe kur Mbreti flet, duhet bindje. Ne që jemi shërbenjësit e tij përpiqemi të jemi shumë këmbëngulës dhe ngulmues, por kur vetë Mësuesi shqipton thirrjen, aty ku është fjala e Zotit ka fuqi. Shpresoj se po i thotë ndonjërit këtu, “Sot duhet të rri në zemrën tënde.” Tani keni arritur në atë pikë kur edhe ju keni për të thënë, “duhet.” Nuk duhet të ketë kthim mbrapa, mik i dashur; ti nuk duhet t’i thuash Krishtit, “kësaj here shko në rrugën tënde.” Jo, por ti duhet të thuash, “tani është koha kur edhe unë kam për të thënë “duhet” ashtu si Krishti ma tha mua.” Thirrja është e efektshme kur vjen si një mandat mbretëror, një urdhër prej Mbretit: “duhet.”
-Pastaj, ishte një thirrje që prodhoi bindje të menjëhershme. Zoti i tha Zakeut, “zbrit shpejt poshtë;” dhe ne lexojmë, “ai zbriti me nxitim.” Më duket sikur e shoh tek zbret nga pema shumë më shpejt sesa kur u ngjit; nuk kishte lëvizur për një kohë të gjatë aq shpejt; por ai nxitoi për të zbritur, sepse iu tha të zbriste me nxitim nga Dikush që me urdhrin e Vet e detyroi të bindej. Kur Zoti Jezus Krisht thërret cilido nga ju efektshmërisht, nuk do ta shtyni vendimin tuaj deri në mëngjesin tjetër; ti nuk do të thuash; “do të pres deri sa të shkoj në shtëpi dhe të lutem;” madje as që nuk do të thoni, “do të pres deri në fund të shërbesës dhe më pas do të flas me një të krishterë;” po lutja jote do të jetë, “Zot, më ndihmo të shikoj Jezusin tani. Ta jap vetën këtë çast. Jam i nxituar për këtë. Zot, po ngutem të vi tek ty; ngutu të vish dhe të më shpëtosh. Nuk do të vonohesha as edhe një sekondë më gjatë. Dua të jem vetëm i yti dhe menjëherë i yti.” Kjo është një shenjë e thirrjes së efektshme kur thirrjes i përgjigjet një bindje e menjëhershme.
-Një tjetër shenjë në rastin e Zakeut qëndron në faktin se ishte një bindje e gëzueshme; “Ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.” Oh! gëzimi i zemrës që mban Krishtin kur vetë Krishti hyn në të vërtetë në shpirt! Në çastin kur besova në Krisht, doja të thërrisja “Alelujah”; dhe mendoj se e bëra këtë ngaqë isha i falur. Në çastin kur ndokush beson në Krisht dhe e di se mëkatet i janë falur, çfarë sjellje e çuditshme do ishte vërtet e çuditshme nën të tilla rrethana! A nuk është i përligjur një njeri kur gëzohet, sepse më në fund faji i tij është fshirë dhe shkelja është mbuluar. Është një shenjë e thirrjes së efektshme kur ne e marrim Krishtin me gëzim.
-Në rastin e Zakeut, vini re se bindja e tij ishte e plotë, sepse Krishti thotë; “sot duhet të rri në shtëpinë tënde,” dhe “ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim” në shtëpinë e tij, sepse njerëzit murmuritën ngaqë Krishti shkoi të ishte mysafiri i tij. Tani, miq të shtrenjtë, a nuk do të donit të merrnit dhe ju Krishtin? Kjo është çështja. A po dëshironi ta lini të vijë te ju dhe të jetë shpëtimi juaj? A jeni të etur për Të? A e lutni që të vijë? Varini shpresat në këtë fakt, Ai do të vijë te ju kur të jeni gati për ta pranuar, por kini kujdes, mos besoni për shpëtim në asgjë tjetër ose te askush tjetër përveç se te Krishti. Mos u kënaqni me asgjë përveç se me Shpëtimtarin e përjetshëm që të jetë Shpëtimtari juaj nga e para deri në të fundin.
-Kishte akoma edhe një shenjë më shumë të thirrjes së efektshme të Zakeut dhe ajo është se ai e mori Krishtin në kuptimin shpirtëror, sepse ai nuk e mori vetëm në shtëpinë e tij, por e mori në zemrën e tij. Këtë e di ngaqë ai filloi menjëherë të pastronte zemrën e tij duke nxjerrë jashtë lakminë. Ishte një mënyrë e shkëlqyer për ta hequr qafe lakminë kur ai thotë, “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime?” Më pas ai filloi të dëbonte zakonin e tij të mëparshëm të grabitjes, sepse ai thotë, “po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t`ia kthej katërfish.” Kjo ishte një provë e qartë se ai donte ta pranonte Krishtin, në gjithë mësimin e tij të shenjtë e të hirshëm, jo thjesht si një njeri dhe një të huaj, por shpirtërisht, si Padronin e tij, Sundimtarin e tij, Mësuesin e tij, Udhërrëfyesin e tij, në një fjalë, si Shpëtimtarin e tij.
III. Tani, së fundmi, Sot—pse jo?
Dhe tani po ndryshoj ditë krejtësisht, sepse e kam fjalën pikërisht për ditën e sotme kur po ju flas tani, këtë ditë të parë tetori në këtë vit hiri 1882. “Sot.” Sot,— pse jo.
Pse vallë nuk duhet t’i jepemi “sot” Krishtit. Jam përpjekur të mendoj për ndonjë arsye pse një njeri nuk do të donte që t’i dorëzohej Zotit Jezus Krisht këtë ditë dhe nuk arrij të gjej ndonjë arsye. Pastaj, pse duhet t’i dorëzohej Krishtit në këtë ditë të veçantë? Besoj se ka disa arsye të ndryshme pse ai duhet ta bëjë këtë gjë.
Së pari, është mjaft vonë. Sigurisht që nuk ke pse pret më gjatë; sa vjeç je the, mik? Shtatë dhjetë e gjashtë? Tetëdhjetë e gjashtë? Çfarë! Kaq i moshuar dhe akoma i pashpëtuar? Nuk ke nevojë për ndonjë si mua, kaq shumë më i ri, të të shtyjë të përshpejtosh vendimin. Apo the se nuk je më i moshuar se unë,—akoma jo pesëdhjetë? Ta dish gjithsesi se edhe kaq është mjaft vonë.
Ka disa ndikime dhe ndijime që po më përvidhen, që më bëjnë të kuptoj se jam disi ndryshe nga ç’isha dhe pres që të jetë e njëjta gjë me ty. Mendoj së po bëhet mjaft vonë për ty në jetën tënde për të qenë akoma i pavendosur. Ndoshta ndonjë më i ri thotë, “por unë jam vetëm njëzet e një vjeç.” Ta dish, kjo është mjaft vonë për të qenë pa Krishtin; sa keq që djalli të ketë pasur 21 vitet e jetës tënde. Unë iu dhashë Zotit Jezus Krisht kur isha pesëmbëdhjetë vjeç, mirëpo do të kisha dashur të kishte qenë pesëmbëdhjetë vjet më herët. Oh, sikur ta kisha njohur dhe dashur aq herët sa dita diçka dhe ta kisha pëshpëritur emrin e Tij me fjalët e para që shqiptova! Mendoj se çdo i krishterë do të thotë të njëjtën gjë. Çfarëdo që të jetë mosha jonë, koha e kaluar mjafton kur bënte vullnetin e mishit. A nuk mendon kështu miku im? A nuk të ka ardhur në majë të hundës nga mëkati? Çfarë dobie të ka sjellë? Sigurisht që është pothuajse mjaft vonë për ty që të pranosh Krishtin si Shpëtimtarin tënd.
Më tej, është mjaft vonë këtë vit. Më duket, kur gjethet po bien të gjitha rreth e përqark jush, sikur të gjitha po ju thonë, “ne të gjithë vyshkemi si gjethe.” A nuk është mbushur koha për të kërkuar Zotin? Nuk di ndonjë stinë që është më e përshtatshme për mendim përsiatës se sa pikërisht tani kur viti duket po vajton në varrin e vet dhe po vetëvarroset midis gjetheve të rëna. Tani është koha t’ia japësh veten Zotit dhe nuk mund të ketë periudhë më të mirë se sa pikërisht tani,—para se viti të kalojë i tëri.
Mëshira është, miq të shtrenjtë, se edhe pse është pothuajse mjaft vonë, nuk është tepër vonë për këdo këtu. Ka akoma kohë për ju për të kërkuar Zotin. Është për të ardhur keq që e keni lënë Zotin për më vonë deri sa ju vetë keni kaluar përzhitjen dhe gjethen e verdhë, por akoma ka kohë për t’u kthyer tek Ai. Çfarë! Ke arritur orën e njëmbëdhjetë të jetës? Është vonë, është shumë vonë, por, sidoqoftë nuk është tepër vonë. Nuk është akoma tepër vonë edhe sikur të vdisje këtë javë dhe ka disa nga kjo mori njerëzish këtu që ma pret mendja, do të kalojnë në botën e padukshme këtë javë. Mik i shtrenjtë, nuk e di cili je, por ti që qëndron shumë më afër fatit tënd të përjetshëm; nuk është akoma tepër vonë për ty. Të lutem, kapu menjëherë te mëshira që të ofrohet tani. Perëndia të ndihmoftë për ta bërë!
Çdo javë më duhet të dëgjoj për disa nga ne që kanë vdekur. Ka pasur disa javën e fundit dhe disa për të cilët mendova me siguri se do t’i kishim bashkë me ne për një kohë të gjatë. Ata ishin, në pamje të parë, të shëndetshëm, megjithatë tani duhet të varrosen në fillim të javës, sepse ata u larguan nga ne disi papritur. Edhe pse vallë ndonjërit nga ju nuk do t’i vinte radha për t’u marrë lart? Mos e shty vendimin tënd më gjatë; do të doja që të mund të thoni këtë natë, “sot, më një tetor, disa shpirtra morën me të vërtetë shpëtimin. Le ta shënojë engjëlli regjistrues.”
Korrja nuk ka mbaruar akoma edhe pse mendova se kishte mbaruar. Ne poshtë në jug pothuajse e harruam, por ka një mik bujk me ne sot, që me tha “ne nuk kemi mbaruar të korrat tona, sepse nuk i kemi futur brenda akoma të korrurat.” Kështu pra, e shikoni, e korrura nuk ka mbaruar fare, po unë nuk dua që ju të thoni, e korrura ka kaluar, vera mbaroi dhe ne nuk jemi të shpëtuar.” Do të doja të kapja ca nga ju që të vini brenda, pikërisht me të korrurën e fundit. Oh, ardhshi te Krishti pikërisht në këtë mbetje të të korrurave! Mjeshtri do që ju të vini tek Ai edhe tani, pra mos u vono. “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e Tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.” “Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.”
Kujto, gjithashtu, se sot është kohë ungjillore. Akoma po ju predikohet Krishti, akoma dera e mëshirës është e hapur para jush, akoma thirrja “eja” po shqiptohet nga Fryma dhe nga nusja, gruaja e Qengjit i bën jehonë, “eja.” Akoma uji i jetës po rrjedh falas për të gjithë ata që duan ta marrin.
Sill ndërmend gjithashtu se kjo është kohë lutjeje. Ti je akoma në tokë lutjeje; një lutje akoma do ta gjejë Perëndinë. Një udhëtar na tha se, kur ishte në Lindje, pa kortezhin e një Sulltani duke kaluar përmes një qyteti. Monarku ishte i tëri i stërzbukuruar me gurë të çmuar dhe lloj lloj stolisje barbare e i rrethuar nga rojet e tij. Një i mjerë që donte t’i çonte një kërkesë Sulltanit, nuk dinte si t’ia dilte. Nuk kishte para që t’i jepte ryshfet ofiqarëve dhe nuk mund të kalonte me forcë përmes burrave të armatosur; kështu që, në dëshpërimin e tij, u afrua afër mjaftueshëm sa të hidhte kërkesën poshtë te këmbët e monarkut, por një nga ushtarët e tejshpoi me heshtë dhe e ngriti në ajër; dhe ishte fundi i saj, sepse sulltani nuk e vuri re ç’ndodhi, ai ishte tepër i rëndësishëm për t’i vënë veshin kërkesës së subjektit të tij të varfër. Nuk është kurrë kështu me Perëndinë. Hidh kërkesën tënde—tani ti mundesh—te këmbët e Tij të shtrenjta! Ai do t’i përgjigjet dhe do të të kthejë mbrapsht me gëzim!
Ti nuk je vetëm në tokë lutjeje, sepse sonte më duket së është një stinë shumë e mbarë, sepse është kohë shoqërimi. Njerëzit e Perëndisë tanimë po vijnë bashkë përreth tryezës së Tij për të kujtuar Krishtin. A nuk do ta kujtoni dhe ju? Ne jemi gati të marrim Krishtin shpirtërisht me anë të emblemave të bukës dhe verës. Pse edhe ju nuk do ta merrnit Krishtin në një mënyrë shpirtërore, me anë të besimit, si Shpëtimtarin tuaj? Oh, sikur të çaje turmën dhe të përuleshe te këmbët e Jezu Krishtit, Zotit tonë! Nëse bën kështu, Ai do të të pranojë dhe përsëri do të thuhet, “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi.” Dashtë Perëndia, për hir të Krishtit! Amen.