Nuk ka ngulitje pa besim
Predikim nr 2305
Mbajtur më 23 prill 1893
Nga C.H.Spurgeon
Në Tabernakullin Metropolitan,Njuington
“Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.” {#Isaia 7 :9}
Ashtu siç jua thashë në leximin e tekstit, Isaia pati një porosi shumë të rëndë prej Perëndisë. Ai kishte për të shkuar dhe t’i fliste njerëzve që nuk do ta dëgjonin duke qenë për ta një korrier vdekje sesa jete. Edhe pse mesazhi vetë, do të ishte plot me jetë, prapëseprapë ata do ta kundërshtonin atë dhe kështu do të sillnin mbi vete një vdekje te dhjetëfishtë. Si një lloj eksperimenti në punën e tij, ai u thirr së pari të shkonte dhe t’i fliste mbretit Ashaz, këtij mbreti të lig. Ai e dinte në vetë shpirtin e tij se ajo çfarë kishte për të folur do të hidhej poshtë, por megjithatë, prej urdhrit të Perëndisë, ai shkoi t’i flasë mbretit. Iu tha se ku do ta takonte atë. Perëndia e di ku të dërgojë shërbëtorët e Tij besnikë. Ai pati rregulluar çdo rrethanë në lidhje me predikuesin e vërtetë—atë çfarë do të thoshte dhe atje ku do ta thoshte—dhe çdo bashkësi është një bashkësi e përzgjedhur për shërbëtorët e dërguar të Perëndisë. Ai e di se kush do të vijë aty dhe kush nuk do të vijë. Ai e di se si të përshtatë mesazhin në mënyrë tejet të posaçme për rastin vetjak të çdo njeriu që gjendet nën fushën e tingullit të zërit të predikuesit dhe Ai e di se si të përshtatë madje edhe vetë zërin, për veshët e çdo dëgjuesi. Ne e dimë të gjithë këtë, sepse kemi pasur provë të bollshme vazhdimisht.
Lajmet që Isaia i dha Ashazit ishin sihariqe të vërteta. Ai nuk kishte pse të frikësohej prej mbretit të Izraelit dhe mbretit të Sirisë. Këto njerëz ishin të vendosur ta shkatërronin atë dhe njerëzit e tij, por ama ata ishin vetëm si urë zjarri që nxjerrin tym, pothuajse të fikur. Fuqisë së tyre së shpejti do t’i vinte fundi dhe prandaj profeti i tha mbretit të mos ligështohej, por të ishte i qetë dhe të priste me durim derisa të shikonte se çfarë do të bënte Perëndia. Më pas ai sfidoi besimin e Ashazit dhe e paralajmëroi se nëse nuk do të besonte, nuk do të bëhej i qëndrueshëm! Isaia parapriu atë çfarë ishte krejtësisht shumë e vërtetë, se Ashazi nuk do të besonte, se ai do të parapëlqente të shikonte te mjetet e jashtme, do të kërkonte për ndihmë mbretin e Asirisë dhe se do të mbështetej mbi një krah mishi e se nuk do ta vendoste besimin e tij në Perëndinë.
Ai me siguri që mund të kishte pritur pa pasur frikë derisa të kishte arsye për t’u frikësuar, por jo, ai është i tmerruar dhe i inatosur pavarësisht se Perëndia i pati thënë, nëpërmjet shërbëtorit të Tij, “shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet.” Tani, këto fjalë të Isaisë drejtuar Ashazit na pajisin me një paralajmërim dhe kurajë. Perëndia duket se ju flet dhe më flet prej këtij Libri të bekuar sonte! Me siguri që Ai më flet mua—dhe shpresoj juve gjithashtu—”Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.”
I. Kreu ynë i parë do të jetë, PERËNDIA MERITON TË BESOHET. Ne nuk mund ta themi këtë për cilindo. Shumë njerëz meritojnë të besohen—karakteri i tyre është i tillë sa ne jemi të detyruar t’i mirëbesojmë atyre. Disa njerëz, nga ana tjetër, nuk duhet të besohen—karakteri i tyre është i tillë sa ne do të ishim të çmendur t’i mirëbesonim atyre. Por po them sonte, për Atë që krijoi qiejt dhe tokën, Perëndia i kësaj Fjale të Perëndisë, Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, se Ai kërkon me ngulm që të besohet dhe se Ai meriton të besohet!
Sepse, së pari, Ai është Perëndi dhe duke qenë Perëndi, Ai nuk mund të gënjejë. Koncepti i një Perëndie gënjeshtar mund të jetë i mundur për një pagan, por kam besimin se për ju është krejtësisht i papranueshëm. Vetë idea e “Perëndisë” për ne do të thotë vërtetësi e përkryer dhe e padiskutueshme—Perëndia që, medoemos prej vetë Natyrës së Tij, nuk mund të gënjejë. Ai mund të bëjë çdo gjë që është e drejtë, por Ai nuk mund të bëjë një gjë të gabuar. Ai nuk mund të thotë një gjë të pavërtetë. Ai nuk mund, qoftë në fjalë, vepër ose mendim, të jetë fajtor si gënjeshtar. Ai është Perëndi dhe nuk mund të gënjeje. T’i ngarkosh Perëndisë një gënjeshtër është një blasfemi! Nuk do të përdor fjalë më të butë. Keni sjellë çnderim mbi emrin e shenjtë kur, në ndonjë farë mënyre, keni lidhur emrin e Jehovait me një gënjeshtër. “Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë?” Oh, të Dashur, mos e trajtoni Zotin sikur të ishte një gënjeshtar! Mos harroni se kur dyshoni premtimin e Tij—përderisa e dini se Ai mund ta përmbushë atë nëse i pëlqen, sepse Ai është i Plotfuqishëm—kur dyshoni premtimin e Tij, jeni duke vënë një pikëpyetje mbi vërtetësinë e Perëndisë së Përjetshëm? A keni ndërmend ta bëni këtë? A nuk e keni lexuar vallë fjalën e dishepullit të dashur dhe të shumëdashur, “ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë Atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e Tij”? A keni vërtetë ndërmend ta bëni Perëndinë një gënjeshtar? A keni qenë ndonjëherë fajtor për një turp të tillë? Epo, nuk do të zgjatem më mbi këtë pikë, por Ai meriton të besohet, sepse Ai është Perëndi. Është thelbësore për çdo ide të vërtetë mbi Perëndinë të besosh se Perëndia është medoemos i vërtetë.
Ai meriton të besohet, sepse Fjala e Tij ka qenë gjithnjë e vërtetë. Çdo njeri që është student i profecive e di se si madje edhe në gjërat më të vogla, profecitë e Perëndisë janë përmbushur fjalë për fjalë. Ishte nje libërth që u publikua para ca kohësh, prej zotit Urkhart, nga Uestoni, një libërth mbi profecitë e përmbushura. I dhashë një kopje para ca ditësh një vëllai i cili më shkroi se i ishte dukur shumë më tepër interesant se çdo histori ose novelë që kishte lexuar më përpara në jetën e tij dhe shumë më i mahnitshëm se një roman aventurash, sepse çdo shkronjë dhe presje, nga pikat e i-ve deri te kryqet e të-ve, në profecitë e shërbëtorëve të Perëndisë, qe shënuar në histori! Në rrënojat e Tirit, Sidonit dhe Babilonisë dhe qyteteve të ngjashëm, në çdo gur kemi një dëshmi të besnikërisë së Perëndisë ndaj Fjalës së Tij!
Jo vetëm në histori Zoti është provuar të jetë i vërtetë. Ju dhe unë—shpresoj se mund ta them këtë, por flas me të vërtetë për shumë këtu të pranishëm—e kemi provuar besnikërinë e Perëndisë. Ai na ka hedhur në sprova të ndryshme. Kemi patur raste për të testuar premtimet që nuk do të mund t’i kishim testuar dot nëse nuk do të ishim sprovuar. Ashtu si jeni të paaftë për të parë yjet ditën, por ama nëse zbrisni poshtë në një pus, mund t’i shikoni menjëherë, në çdo kohë të ditës ose të natës, po ashtu, miq të shtrenjtë, Perëndia na zbret në këto puse të thella sprovash dhe atëherë ne shikojmë premtimet e Tij yjore duke ndriçuar shkëlqyeshëm! Do të merrja më mirë premtimin e Perëndisë se sa premtimin e Bankës së Anglisë! Banka e Anglisë mund të falimentojë—me siguri një katastrofë e tmerrshme dhe shumë e pangjarë—por Fjala e Perëndisë nuk mund të dështojë, sepse Zoti ka të ardhura më të mëdha se ç’ka i gjithë kombi ose të gjitha kombet e tokës të vëna së bashku!
Banorët e tokës janë si karkaleca në sytë e Perëndisë! Ai mund t’i shkulë të tillë ishuj ku banojmë si gjëra shumë të vogla. Oh miq, Zoti mund ta ketë me hak të gjithë mirëbesimin tonë, sepse edhe kur i mirëbesojmë Atij me gjithë qenien tonë, jemi mbështetur veç me shumë pak peshë mbi vërtetësinë e Perëndisë! Demi që mbajti harrjen mbi ballin e tij buzëqeshi kur harrja shpresoi se pesha e saj nuk ishte e tepërt për të—dhe për Perëndinë të na mbajë është si hiç gjë për Të! Ne mund të vijmë te Ai me atë çfarë ne i quajmë nevojat tona të mëdha dhe Ai do të thotë duke buzëqeshur, “Një thërrime prej tryezës Time do të mjaftojë për një milionë të tillë si ju.” Gjërat që nuk janë veçse çikërrima për Shumëtëlartin do të mjaftonin për të gjithë banorët e tokës, sikur ata të vinin tek Ai—prandaj le t’i mirëbesojmë Atij plotësisht. Le të bëjmë pjesë mes atyre që i mirëbesojnë Perëndisë në mënyrë të lavdishme! Kur një njeri noton është një gjë e mirë të kesh ujë të thellë. Nuk është e nevojshme pra të llogarisësh nëse është një mijë a dy mijë metër thellë—epo nëse jeni duke notuar jeni duke notuar! Kur filloni t’i mirëbesoni Perëndisë të pafund le të jetë i pafund në mendimet tuaja po aq sa i kufizuari mund të pranojë pafundësinë. Vendoseni besimin te Ai pa masë, pa dyshim ose keqbesim!
Sepse më tej, përderisa Ai duhet të jetë i vërtetë, duke qenë Perëndi, dhe përderisa Ai ka qenë i vërtetë, duke qenë Perëndi, po ashtu Ai nuk ka motiv për të qenë i pavërtetë. E pse Perëndia duhet që edhe madje të na flasë? Pse vallë i Përjetshmi u ul prej Lavdisë së Tij të pakufishme për t’ia bërë veten të njohur krijesave që para Tij janë shumë më tepër të parëndësishme se sa një milingonë mund të jetë për një njeri? Jam i sigurtë se ju nuk jeni munduar kurrë t’ia zbuloni veten një krimbi—dhe prapëseprapë Perëndia ka shpalosur të gjithë mendjezgjuarsinë e Tij të shenjtë për t’iu shfaqur njeriut, i cili, i krahasuar me Krijuesin e Tij nuk është veçse insekt që rron për pak e zhduket! Pse vallë mendoni se Ai duhet të na flasë—për të na mashtruar? Më duket se është absurditeti më i madh të hamendësosh se nëse Jehovai thyen heshtjen e përjetshme, e bën këtë për të shpjerë në rrugë të gabuar një krijesë të mjerë dhe të gjorë siç është njeriu. Oh,jo! Dashuria që e bën Atë të flasë nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe e Vërteta që Ai flet nuk duhet të vihet në dyshim!
Përderisa Perëndia i zbulohet kështu njerëzve, këta, ashtu si fëmijët e vegjël me babain e tyre, mund ta ndjejnë veten më se të sigurt se me shumë siguri mund t’i mirëbesojnë çdo fjale të Zbulesës. Njerëzit flasin për të gjitha “gabimet e Shkrimit.” Falënderoj Perëndinë se nuk kam ndeshur ndonjë të tillë! Gabime përkthimi mund të ketë, sepse përkthyesit janë njerëz, por gabime të Fjalës origjinale nuk mund të ketë kurrë, sepse Perëndia që e foli atë është i pagabueshëm dhe po ashtu është çdo fjalë që Ai shpreh! Dhe në këtë mirëbesim ne gjejmë prehje të mrekullueshme. Nuk ka asnjë motiv për Perëndinë të na japë një Libër që është pjesërisht i vërtetë dhe pjesërisht i rremë, mbi të cilin ne kemi për të qenë gjykatës, duke pranuar një pjesë dhe duke hedhur poshtë pjesën tjetër. Kjo do të na bënte më të këqij akoma dhe do të na mbushte me më shumë vetë-mashtrim se sa do të kishim sikur të ishim lënë pa Librin fare! Kjo nuk ka se si të ndodhë—prandaj le të besojmë se në motivin e Perëndisë për të na folur, që patjetër duhet të jetë prej dashurisë begenisëse, ka një garanci se Ai flet të Vërtetën, të gjithë të Vërtetën dhe vetëm të Vërtetën.
Ndjehem pothuajse me turp që po flas kështu në lidhje me Të që është kaq me siguri i vërtetë dhe të Cilin ju dhe unë e kemi provuar dhe vërtetuar gjatë gjithë këtyre viteve. Duket kaq e kotë të kesh për të provuar atë çfarë askush nuk duhet ta vërë në dyshim. Sepse, edhe një herë, sillni në mendje senderi i Perëndisë është i angazhuar në Vërtetësinë e Tij. Nëse thoni se Perëndia nuk është i Plotfuqishëm, ne mund t’i lutemi Perëndisë t’ju falë këtë gabim. Por nëse thoni se Ai nuk është i vërtetë, ka një ligësi dhe dashakeqësi në lidhje me pohimin tuaj, gjë që është një dëm i madh ndaj Karakterit të Tij të shenjtë. Perëndia i pavërtetë? Oh, zotërinj, ju përgjërohem, mos mendoni ashtu as dhe për një çast, sepse ky është një krim kundra Madhërisë së Fronit të Përjetshëm! Perëndia më mirë do të pushonte të ekzistonte se sa të thyente premtimin e Tij ose të harronte Fjalën e Tij për të Cilën është zotuar. Ai është shumë xheloz për vetë Lavdinë e Tij. Ai e quan veten, në Dhjetë Urdhërimet, një Perëndia xheloz dhe ashtu është me të vërtetë. Ai nuk do të lejojë kurrë Lavdinë e Madhështisë së Tij të pafund të njolloset prej dyshimit të një gënjeshtre. Prandaj, asnjë fëmijë i Tij le të mos ta dyshojë ndonjëherë dhe përderisa kam frikë se ne e kemi bërë këtë gjë, le të dridhemi para Tij dhe të pendohemi se kemi pasur ndonjëherë guximin, madje edhe të toleronim brenda mendimeve tona ndonjë gjë të ngjashme me dyshimin ndaj Perëndia tonë. Nderi i Tij komprometohet nëse Ai thyen besëlidhjen e Tij, por këtë Ai nuk mund ta bëjë, ashtu si Pali i shkruan Hebrenjve, “Kështu Perëndia, duke dashur t`u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin, që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.” Gjaku i Birit të Tij të Vetëmlindur ka vulosur Besëlidhjen—dhe më e lehte do të ishte që qielli dhe toka të kalonin se sa ndonjë pjesë e Besëlidhjes të binte përtokë!
Vetëm këtë gjë do të shtoj. Përfytyroni për një çast—përfytyrim pa vend ky gjithsesi—se nuk mund t’i mirëbesojmë vërtetësisë së Perëndisë? Çfarë do të mbetej për ne ku të vendosnim besimin?Kur shkëmbinjtë lëvizin, çfarë qëndron vallë e qëndrueshme? Nëse Perëndia vetë mund të ndryshojë, ose mund të mos jetë i vërtetë—eja natë dhe më përpi në terrin tënd! Eja kaos dhe më gllabëro! Oh, u asgjësofshim, në mënyrë që të reshtim të ekzistojmë nëse Perëndia ka reshtur të jetë i vërtetë! Atëherë limanet do të ktheheshin në vorbulla! Atëherë shkëmbinjtë do të ktheheshin në re! A do të mbetej ndonjë gjë? A nuk do të zhdukej çdo gjë, ashtu si shkuma e detit, sikur të tregohej se Zoti nuk është i vërtetë? Faleminderit Perëndisë, ne nuk jetojmë në një kaos të tillë! Ne e dimë se Ai është i vërtetë dhe me Palin thërrasim, “Qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar.” Çdo gjë tjetër le të fshihet ashtu si byku para erës, por Perëndia i përjetshëm dhe Fjala e Tij do të qëndrojnë të palëvizur përherë e përjetë! Kjo është pika ime e parë—Perëndia e meriton të besohet.
II. Por, së dyti, DISA NUK DUAN T’I BESOJNË PERËNDISË. Kjo është e qartë prej frikës së shprehur në tekst—”Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.” “Po të mos doni të besoni.” Besimi është një çështje vullneti. Një njeri nuk beson pa qenë i vullnetshëm për të besuar. Hiri i Perëndisë vë në vepër besimin, jo ndaj nesh, por brenda nesh. Perëndia është Ai që punon ndër ne, duke bërë që ne të duam dhe të veprojmë sipas vullnetit të Tij dhe përsa i përket asaj që duam, Ai na shpie në besim. Ne besojmë vullnetarisht dhe me siguri që njerëzit po vullnetarisht nuk besojnë—dhe disa prej tyre, me mbrapshtësi të fortë vullneti, nuk do të besonin edhe sikur ndonjëri të ngjallej prej së vdekuri! Pse vallë kështu, kjo mosdashje e çuditshme e disa njerëzve, madje, në një farë kuptimi, e të gjithë njerëzve, për të besuar në Perëndi?
Ata duan në vazhdimësi të besojnë gjëra të tjera. Ne kemi plot njerëz rreth e qark të cilët janë si peshq me gojën hapur, gati për çdo karrem. Nuk ka rëndësi se sa absurde mund të jetë ëndrra e një njeriu; nëse ai me këmbëngulje të mjaftueshme qëndron në rrugë dhe publikon ëndrrën e tij, ose e shtyp atë, me siguri që do të gjejë ca budallenj që do t’i besojnë! Në këtë vend, edhe pse e mendojmë veten tonë kaq shumë të urtë, një autor nuk ishte larg së vërtetës kur foli për popullin tonë si një popullatë me miliona e miliona njerëz, “shumica budallenj.” Sido që të jetë ka një përhapje të konsiderueshme të tyre përqark. Shikoni se sa me gatishmëri njerëzit besojnë atë që lexojnë nëpër gazeta, edhe pse, me shumë mundësi, nuk ka as dhe një fragment të vërtete në të! Aq më mirë për gazetën, sepse gënjeshtra mund të kundërshtohet të nesërmen dhe kjo do të bëjë një ose dy kolona të tjera dhe do të mbushet kështu në një kohë kur lajmet nuk janë me bollëk! Por ka një syleshtësi të madhe mes njerëzve në përgjithësi. A mendon se secili do të mund të shiste ilaçe të skaduara nëse secili do ishte i urtë? Mirëpo, jo çdokush është i urtë. Ne jemi të vullnetshëm të besojmë atë çfarë një njeri na thotë nëse na e thotë me aq trimëri sa duhet, me një masë të mjaftueshme guximi. Por kur vjen puna të besosh Fjalën e Perëndisë, shumë njerëz shfaqin një pamundësi të dukshme për të besuar! Kutia është e mbyllur dhe nuk mund të gjesh dot çelësin! Por ama sill një gënjeshtër njeriu dhe kutia hapet me lejen e tij! Ka një lloj, “susam hapu,” në atë çast. Sa keq, shpesh gënjeshtra e njeriut pranohet dhe e Vërteta e Perëndisë hidhet poshtë!
Një tjetër gjë është domethënëse, se njerëzit i ngjiten me kokëfortësi besimit në vetvete. Ata besojnë, do të besojnë që të mund të hapin udhën e tyre për në Parajsë. I flisni atyre në lidhje me mëkatin e tyre. E po mirë, ata nuk mund ta mohojnë dot, por aq e zbusin sa e bëjnë të duket më tepër fatkeqësia e tyre se sa faji i tyre. Për ta, është më shumë mynxyrë të jesh mëkatar se sa një shkelje e rëndë. Ashtu e pandehin ata dhe në të ardhmen, këto krijesa të gjora do t’i dalin zot vetes! Kupa e verës, është e vërtetë që i ka tunduar dhe ata ranë shumë herë—por tani ata dinë më mirë—ata kurrë më nuk do të preken përsëri prej pijes! Epshi i mishit i ka skllavëruar shumë herë nga shumë Delila—oh po, ata “kanë bërë qejf në rini”–por ama nuk do të bien më në atë formë ligësie—dhe kështu me radhë, kështu me radhë! Krijesa që nuk ka bërë asgjë të drejtë, por çdo gjë që është e gabuar, akoma beson në vetvete. Shkon në kishë dhe e quan veten një “mëkatar i mjerë,” dhe prapëseprapë vazhdon të jetë një besimtar i lumtur në kapacitetin e vet për të kontrolluar veten. “Kemi bërë ato gjëra që nuk duhet t’i kishim bërë dhe kemi lënë të pabëra gjërat që duhet t’i kishim bërë dhe nuk ka shëndet shpirtëror brenda nesh.” Po, ne e thamë këtë mbi gjunjë, por kur ngrihemi më këmbë, përsëri, kemi për të bërë gjërat që duhet të bëjmë dhe kemi për të lënë të pabëra gjërat që duhen lërë të pabëra—dhe ndihemi po aq të shëndetshëm—prej majës së kokës deri në shputën e këmbës, njësoj sikur të mos kishim pasur kurrë sëmundje në jetët tona! Tani, kjo është një gjë e çuditshme, që njeriu mund t’i besojë vetvetes dhe prapëseprapë nuk mund t’i besojë Perëndisë! Kjo është çmenduria e natyrës sonë—që njeriu mendon se ai mund të bëjë çdo gjë ndërsa nuk mund të bëjë asgjë!
Më pas, vini re se si në vend të të besuarit në Zotin Jezu Krisht për jetën e përjetshme, disa preferojnë një fe emocionale. Jam i çuditur me disa njerëz, sa shpejt që rrëmbehen, sa lehtë që “shpëtohen”– të paktën ata thonë se janë të shpëtuar. A i besojnë premtimeve dhe a varen në Fjalën e Perëndisë? Jo, por ama ata “ndjejnë” kaq shumë. Po këto ndjenja që duken se ju ngrenë lart në Qiell do t’ju flakin poshtë në thellësitë e Hadesit! Prapëseprapë këta njerëz preferojnë emocione thjesht të natyrshme, një ndjenjë të brendshme, në krahasim me këtë që është ku e ku më pafundësisht rruga më e shëndoshë—të besosh në Perëndi dhe në Jezu Krishtin që Ai ka dërguar.
Më pas, disa vuajnë me kokëfortësi nën mosbesim. Ata kanë qenë duke u djegur me vite të tëra për prehje dhe nuk e kanë arritur atë akoma. Megjithatë, ata nuk duan të besojnë në Krisht. Oh, çfarë nuk do të jepnin sikur të kishin edhe një natë prehjeje të qetë dhe të mund të shkonin ditën në punën e tyre pa dërrmim mendor! Prapëseprapë ata nuk duan t’i dorëzohen Krishtit për t’u shpëtuar, thjesht duke i mirëbesuar Atij për t’i shpëtuar. Ata e kanë sjellë veten afër portës së vetëvrasjes dhe kanë uruar që të mos kishin lindur kurrë—prapëseprapë ata nuk duan ta marrin mjekimin shërues që qëndron afër duarve të tyre! Ata do të mund më mirë të bënin çdo gjë sesa t’i mirëbesonin Perëndisë!
Vërej gjithashtu se njerëz të tillë kërkojnë këtë ose atë prej Perëndisë, përtej asaj që Ai ka zbuluar. Perëndia ka folur, por kjo nuk është e mjaftueshme për ta. Perëndia duhet të bëjë diçka tjetër për ta—ata duhet të ëndërrojnë ndonjë ëndërr të veçantë, ata duhet të shikojnë ndonjë vizion të çuditshëm—ata duhet të përfytyrojnë se dëgjojnë një zë në ajër. Puf! Lërini gjithë këto gjepura! Besoni atë çfarë Perëndia ka thënë dhe jeni në tokë të sigurt. Ejani te kjo “ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë t’i kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët.” Besoni këtë dhe paqja juaj do të jetë si një lumë dhe drejtësia juaj si dallgët e detit! Por jo—ata nuk duan. Perëndia duhet të bëjë këtë ose atë që ata të zotohen, ose përndryshe ata nuk do të besojnë në Të. E bëni gënjeshtar nëse Ai nuk llaston tekat e juaja—por Ai nuk do ta bëjë kurrsesi këtë gjë!
Me dobi mund të vonohem dhe pak mbi këtë pikë, por koha fluturon tepër shpejt për mua për të thënë më shumë në lidhje me të.
III. Vini re, së treti se BESIMI NUK ËSHTË NJË GJË PËR T’U PËRÇMUAR.
A nuk keni dëgjuar ndonjëherë njerëzit të thonë, “Oh, po predikuakan prapë besimin”? “Epo, çfarë është besimi?” “Epo, është veçse të besosh kështu e ashtu.” Dëgjoni, zotërinj dhe më pas mos flisni më ashtu! Besimi është një gjë e mrekullueshme, sepse është një tregues i drejtë i zemrës. Nëse nuk doni t’i besoni Perëndisë shoh se në zemrën tuaj ju e urreni Perëndinë. Por nëse i besoni Atij, ju e doni Atë. Ne i mirëbesojmë një njeriu që duam. Mendoj se ka pak mirëbesim në njerëzit ndaj të cilëve nuk kemi vlerësim dhe simpati. Nëse i besoni Perëndisë, zemra juaj është ashtu si duhet ndaj Tij. Nëse nuk doni t’i besoni, bëni ç’të mundni, nuk jeni në rregull me Perëndinë tuaj, jam i sigurt për këtë. Ne e dimë se një fëmijë që nuk i beson fjalës së babait të tij nuk është një fëmijë i dashur dhe i bindur.
Besimi në Perëndi është, më pas, një provë e sigurt e një ndryshimi mendjeje, sepse, prej natyre, ne nuk mendojmë për Perëndinë, aq më pak i mirëbesojmë Atij—ne i besojmë asaj çfarë mund të shikojmë, dëgjojmë, shijojmë dhe ndjejmë. Kur i mirëbesojmë Perëndisë, kjo tregon se i jemi nënshtruar një ndryshimi të madh mendjeje, një ndryshimi të mrekullueshëm, për të cilin nuk mund të ketë provë më të sigurt se fakti se ne shohim Atë që është i padukshëm dhe se jetojmë nën ndikimin e Pranisë së Tij dhe kërkojmë me të vërtetë t’i pëlqejmë Atij që sytë njerëzorë nuk e kanë parë kurrë.
A mendon ndonjëri se besimi është gjë e vogël? Epo si vallë kështu, ai inauguron pastërtinë e jetës. Në çastin që një njeri beson në Krishtin Jezus dhe i mirëbeson Atij, ai resht prej mëkatit që donte më parë. Mëkati i bëhet një barrë dhe një murtajë. Nëse besoni, besimi juaj do të vrasë mëkatin tuaj ose përndryshe mëkati juaj do të vrasë besimin tuaj! Argumenti më i madh kundra Biblës është një jetë e pashenjtë—dhe kur një njeri do të heqë dorë nga një jetë e tillë—ai do të vetëshpallet fajtor. Libri do ta shpallë fajtor kur ai ka për të nxjerrë nga shtegu i tij atë mëkat të dashur që tani qëndron mes tij dhe Perëndisë. Besimi në Perëndi, teksa Ai e zbulon veten e Tij në Krisht, është inaugurimi i një jete vetë-flijimi dhe shenjtërie.
A po flet akoma ndonjëri për besimin si diçka pa rëndësi? Epo si vallë kështu, është besimi ai qëshpie në lutje dhe lutja është vetë frymëmarrja e Perëndisë në njeriun, duke u kthyer andej nga erdhi! Nëse besoni, do të luteni. Si mund të luteni vallë nëse nuk besoni? A troket vallë tek një portë ku je i bindur se nuk ka asnjë njeri që të dëgjon? Besoj se nuk je një i çmendur i tillë, por ama kur beson se ka një Perëndi dhe se Perëndia është Shpërblyesi i atyre që e kërkojnë Atë me zell, do të fillosh ta kërkosh—dhe nuk do të pushosh kurrë të kërkosh Atë për aq gjatë sa jeton në këtë tokë!
Besimi gjë e vogël? Epo si vallë kështu, është besimi ai që i jep lavdi Perëndisë. Të gjitha veprat që ne mund të bëjmë ndonjëherë, cilat do qofshin këto, nuk mund t’i sjellin kurrë një Lavdi të tillë Perëndisë sa një akt i vetëm mirëbesimi! Guxoj të them se adhurimi më i lartë nuk është ai i kerubinit dhe serafinit përpara Fronit të zjarrtë të Perëndisë, por ai i një mëkatari të gjorë, i ndërgjegjshëm për fajin, i cili, megjithatë, beson në Perëndi ashtu si Ai e zbulon veten në Krishtin, duke hequr mëkatin nëpërmjet Flijimit të madh. Nëse sonte mund të besosh edhe sikur të jesh mëkatari më i madh i dalë prej ferrit—nëse mund të besosh, të them—se Perëndia mund të të falë, ti e ke nderuar Atë! Dhe nëse ti, i krishterë i gjorë i pështjelluar, në vetë vorbullën e brengës tënde, mund akoma të besosh se Perëndia është besnik dhe se Ai do të të mbajë përmes gjithë kësaj, atëherë e ke lavdëruar emrin e Tij të bekuar më shumë se ç’mund ta bëjnë engjëjt. Kjo është muzika praktike që qëndron jo në tingullin, por në ndijimin e brendshëm të zemrës. Është melodi e vërtetë për Perëndinë. Besimi nuk është çikërrima që disa e mendojnë të jetë. Ky mirëbesim i shenjtë në Perëndi është zemra dhe shpirti i çdo përshpirtshmërie të vërtetë të përjetuar!
IV. Kështu që kam ardhur në pikën time të fundit duke u trishtuar se m’u desh të kaloj përciptazi atje ku do të kisha dashur të flisja më gjerë—ATA QË REFUZOJNË TE USHTROJNË BESIMIN DO TË HUMBASIN SHUMË PRIVILEGJE TË MËDHA. Mund të përmend shumë, por teksti na jep atë mbi të cilin do të flas—”Po të mos besoni me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.”
Do të thotë së pari se ata që nuk besojnë do të humbasin ngulitjen në mirëqenie shpirtërore.Nëse nuk besoni në Perëndi, zemra juaj do të luhatet ashtu si pemët e pyjeve prej erës. Do të lëkundeni sa andej këndej ashtu si dallgët që përplasen mbi shkëmbinjtë. Do të shtyheni si diçka që rrokulliset e që merret tutje sa andej këndej nga shakullina. Por nëse do të besoni në Perëndinë dhe në Birin e Tij të shtrenjtë që e zbulon Atë, atëherë do të keni një spirancë dhe do të lini prapa çdo stuhi! Frika do të largohet dhe shpirti juaj do të jetë në prehje. Oh, ju nuk e njihni qetësinë e thellë që përhapet në frymë kur ajo ka mbaruar me veten dhe thjesht ia zoton veten Perëndisë! Ju nuk mund ta dini kurrë këtë nëse nuk do të besoni.
Më pas, nëse nuk do të besoni, nuk do të gëzoni kurrë ngulitje në gjykim. Ka shumë njerëz që nuk e dinë çfarë të besojnë—një ditë ata dëgjuan një njeri dhe menduan se foli me shumë zgjuarsi dhe ishin në një mendje me të. Një ditë më pas ata dëgjuan një tjetër i cili ishte më i zgjuar dhe ai mori rrugën tjetër dhe ata e ndoqën! Shpirtra të gjorë, të shtyrë sa andej këndej, duke mos ditur kurrë çfarë është çfarë! “Po të mos besoni me siguri nuk do të bëheni të qëndrueshëm.” Do të jini si hëna që nuk është kurrë njësoj për dy ditë rresht. Do të dukeni se besoni këtë ose atë dhe prapëseprapë në të vërtetë do të dukeni sikur nuk besoni asgjë! Por nëse vini dhe i mirëbesoni Perëndisë tuaj—të besoni çdo Fjalë që Ai ka folur dhe veçanërisht të besoni Fjalën e Mishëruar, Birin e Perëndisë përherë të bekuarin që dha veten për fajtorët—atëherë do të filloni të dini diçka! Do t’i vendosni gjërat në vendin e tyre të duhur dhe duke njohur të Vërtetën e Perëndisë do të njihni më shumë prej Saj dhe do të merrni sigurinë e besimit nga ku nuk do të lëkundeni kurrë, Fryma e Shenjtë duke dhënë dëshmi për të Vërtetën përbrenda shpirtrave tuaj.
Më pas, ne kemi nevojë për një ngulitje në sjellje. Shikoni ca njerëz që një herë shpallën botërisht se u kthyen në besim. Ata u prekën në një takim zgjimi ditën e parë dhe arritën në një formë pendese. Por një ose dy ditë më pas, ata arritën në një formë krejtësisht ndryshe. Ata bënë një rrëfim besimi dhe iu bashkuan Kishës. Ah, të ishte për mua, Kisha do të ishte më së miri pa ata nëse sjellja e tyre është e tillë siç ka qenë kohët e fundit! Po si ndodh vallë që ka sjellje të paqëndrueshme? Teksti im jep përgjigjen, “Po të mos besoni, me siguri nuk do bëhemi të qëndrueshëm.” Por një besim autentik në Perëndi, një besim i fortë në gjakun dhe drejtësinë e Jezu Krishtit, një kuptim i vërtetë i fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë do t’ju parandalojë prej rënies dhe do të ruheni të pafaj deri në ardhjen e Zotit tuaj!
Po ashtu është, gjithashtu, me ngulitjen në shpresë. Ne njohim disa që janë, në ca kohë, plot me shkëlqim sysh dhe të gëzuar me shpresë dhe ata shikojnë te Fjala e Përjetshme me ëndje të madhe. Ata gati sa nuk duan që të mund të vdisnin menjëherë dhe të ishin atje ku Jezusi është! Por mbas fare pak kohe kështjella e tyre në ajër shkrin tutje—ata nuk kanë gëzim, shpresë e paqe. Jo, “Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.” Nëse shpresoni pa besuar, shpresa juaj është një spirancë që nuk ka mbërthyer asgjë. Nëse prisni pa ndonjë bazë të duhur shprese, ose nëse baza nuk është ç’ka Perëndia ka thënë, atëherë mund të prisni ç’të doni, por përderisa shpresa juaj nuk vjen prej Tij, me siguri që do të zhgënjehet. Oh, sikur të mund ta bënit Fjalën e Perëndisë majën dhe fundin e çdo gjëje në jetën tuaj! Oh, sikur ta merrnit si Alfa dhe Omega e njohjes suaj të gjërave hyjnore! Atëherë do të nguliteshit, sepse do të kishte diçka ku të bazonit shpresën tuaj, që edhe satanai nuk do të mund ta shkatërronte dot!
Dhe së fundi, ne kemi nevojë për t’u ngulitur në fuqi dhe forcë shpirtërore. Nuk keni pse të jini gjithmonë foshnja në Krisht—ju duhet të jeni etër. Ju dëshironi të jeni të dobishëm—dëshironi të sillni të tjerë te Krishti. Ndoshta shikoni disa me lakmi. Thoni, “Kjo gruaja qenka një nënë e vërtetë në Izrael. Ky burri qenka një flamurtar për Krishtin. Por unë jam një gjë e gjorë, imcake, pa asnjë dobi për Zotin.” Nëse doni të rriteni, duhet t’i besoni Perëndisë tuaj! Ai që i afrohet ngushtë Perëndisë dhe mbështetet tërësisht te Perëndia, do t’i përcillet fuqi hyjnore. Secili nga ne, nuk e kemi besuar kurrë Perëndinë ashtu si duhet ta kishim besuar. Disa nga ne në ca kohëra e kemi besuar Atë, ashtu siç menduam, pa rezerva. A nuk kemi shkuar te Ai? Ne nuk do ta themi tani historinë—por a nuk kemi shkuar tek Ai kur ishim në nevojë të madhe dhe e kemi hedhur veten te Ai—dhe kemi parë të gjitha furnizimet madje duke tepruar me bollëk më shumë se çfarë kishim kërkuar ose kishim menduar? Më pas ne kemi parë se Perëndia ynë ka qenë për ne si ujërat e pamasë të detit të madh dhe i kemi klithur të tjerëve, “Sillni enët e juaja të mëdha dhe mbushini prej këtij oqeani.”
Më është thënë se dikur, në Krishtlindje, ishte zakoni në fshatrat e thella që çifligari të mbushte me gjëra të mira çfarëdo ene që njerëzit e varfër sillnin përpara, që të mund të kishin një darkë Krishtlindjeje. Ishte e çuditshme se sa u zmadhuan enët vit mbas viti! Sa herë që nxirrej karroca rreth e përqark, çdo grua e mirë shtëpiake do të kontrollonte shpejt e shpejt gjendjen e saj për të parë se mos kishte një enë akoma më të gjerë. Ishte rregull që shërbëtorët e çifligarit duhet të mbushnin gjithmonë enën, cilado të ishte masa e saj dhe kështu enët zmadhoheshin gjithnjë e më shumë! Oh, miq të shtrenjtë, Perëndia do ta mbushë enën tuaj, sado e gjerë qoftë ajo! Merrni një enë të madhe sa të mundni—dhe kur ta sillni, nëse dëgjoni një pëshpërimë në veshin tuaj, “Tani ju keni shpërdoruar bamirësinë e Perëndisë, keni sjellë një enë tepër të madhe”—buzëqeshni me veten dhe thoni, “Kjo nuk është asgjë për plotësinë e Tij gufuese.”
Sikur të thosha, “O det i gjorë, det i gjorë, tani ti do të thahesh fare, sepse po sjellin enë kaq të mëdha për t’u mbushur me ujërat e tu!” Deti, duke hedhur gjerë e gjatë shkulmet e tij të fuqishme do të qeshte me çmendurinë time! Ejani pra dhe sillni konceptimet tuaja më të gjera për Perëndinë dhe shumëzojini me një mijë dhe besoni në Të ashtu si ky Libër do t’ju bënte të besonit në Të! Hapni gjerë e gjatë gojën tuaj dhe Ai do ta mbushë. Ai ju fton, madje, ta urdhëroni Atë. Ai thotë, “Përsa u përket gjërave të së ardhmes më bëni pyetje rreth bijve të Mi dhe më jepni urdhra rreth veprës së duarve të Mia?” Kjo është një shprehje e mrekullueshme! Ngrihuni në fisnikërinë e besimit dhe guxoni me Perëndinë tuaj!
Dhe ju fajtorë, vështroni lart, duke besuar se Ai është më i madh në mëshirë se sa jeni ju në mëkat—dhe më i aftë të falë se sa jeni ju për të kryer shkelje—dhe kështu do ta gjeni! Por “po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm.” Le të kthehemi që të gjithë në shtëpi, duke besuar në Krishtin Jezus, për hir të emrit të Tij të shtrenjtë! Amen.
Shtjellim prej C.H.Spurgeon
Isaia 7:1-16; 2 Kronikat 28:1-16
Isaia 7:1, 2. Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit,por nuk arritën ta shtien në dorë. Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: “Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim”. Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.
Ata u lëkundën sa andej këndej, u përkulën, u rrëzuan poshtë ashtu si pemët e një pylli në një stuhi. Ata e kishin përjetuar tashmë fuqinë e këtyre dy mbretërve të konfederuar dhe ishin jashtëzakonisht të frikësuar. Davidi vetë, do të kishte pasur mirëbesim në Perëndinë, por, “shtëpia e Davidit” kishte dalë nga udha. Ashazi kishte flakur poshtë frikën e Perëndisë dhe kështu që pati frikë të madhe nga njerëzit. 3. Atëherë Zoti i tha Isaias: “Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi. Shear-Jashubi nuk ishte veçse një fëmijë dhe se pse Isaia kishte për të marrë me vete birin e tij nuk na tregohet, përveçse emri i tij do të thotë, “Mbetja do të kthehet,” dhe ishte pjesë e mesazhit të Profetit që mbetja, njerëzit që ishin marrë me vete robër, do të ktheheshin.
3. Në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit.
Perëndia e di vendin e saktë ku shërbëtorët e Tij do të takohen me njerëzit për të cilët Ai i dërgon ata. Ka një cep në arën e larësit që del pikërisht në hauzin e sipërm—atje Isaia do takojë mbretin Ashaz—dhe atje ka për t’i folur. A ka ndonjë vend këtu ku Perëndia ka ndërmend të takohet me ndonjë shpirt, sonte? Lutem që të jetë kështu.
4. Dhe thuaji.
Profetit i thuhet fjala që ka për të folur po ashtu dhe vendi ku ka për të dhënë mesazhin. Isaia e dinte se kishte për të shkuar së shpejti dhe se do kishte të bënte me njerëz me zemër të ngurtë dhe veshë të shurdhët. Ditën tjetër ne lexuam kapitullin e gjashtë të kësaj profecie dhe vumë re detyrën e vështirë që Isaia kishte për të kryer. Tani ai është duke filluar punën e tij me njeriun që Bibla e quan, “ai mbreti Ashaz”,sikur nuk mund të thoshte dot ndonjë gjë mjaft të keqe për të,por mjaftonte vetëm që të përmendte emrin e tij dhe kushdo do dinte për cilin bëhej fjalë.
4. Shiko të rrish i qetë,mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerrin tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë dhe të birit të Remaliahut.
Mbretëritë e tyre po shuheshin. Ato ishin si dy ura zjarri të fikura—bënin pak tym—dhe brenda një kohe shumë të shkurtër nuk do mbetej asgjë prej tyre. Dhe Ashazi nuk kishte pse të kishte frikë prej tyre.
5-9. Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje,duke thënë: “Të dalim kundër Judës,ta tmerrojmë,të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit.” Kështu thotë Zoti,Zoti: “Kjo nuk ka për të ardhur,nuk ka për të ndodhur,sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brenda gjashtëdhjetë e pesë vjetëve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull. Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Perëndia nuk kishte si synim që të rriteshin më shumë. Këto dy mbretëri të vogla të Sirisë dhe Efraimit kishin për të qëndruar ashtu siç ishin derisa të shkatërroheshin.
9-12. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm”.
Zoti i foli përsëri Ashazit dhe i tha: “Kërkoji një shenjë për vete Zotit,Perëndisë tënd;kërkoja ose në thellësitë ose në lartësitë.” Por Ashazi u përgjigj: “Unë nuk do të kërkoj asgjë,nuk dua të tundoj Zotin.”Ai e shprehu refuzimin e tij shumë bukur,ashtu siç bëjnë shpesh njerëzit kur duan të thonë një gjë të ligë. Ai refuzoi të pranojë një shenjë prej Zotit me pretendimin e kotë se do të tundonte Perëndinë. Ne nuk e tundojmë kurrë Perëndinë kur bëjmë atë ç’farë Ai na urdhëron! Nuk ka mendjemadhësi në bindje. Ishte një nderim i shtirur, për të fshehur paturpësinë e zemrës së tij. Zoti e ftoi ta njohë Jehovain si Perëndinë e Tij—“Kërkoi një shenjë për vete, Zotit, Perëndisë tënd.” Por Ashazi tha, “Unë nuk do të kërkoj asgjë,nuk dua të tundoj Zotin.”Ai nuk tha, “Zotin, Perëndinë tim.” Dhe heshtja e tij do të thoshte kundërshtim.
13. Atëherë Isaia tha: “Dëgjoni tani, o shtëpi e Davidit!
Vini re, Profeti nuk thotë, “Dëgjo tani o Ashaz,” për të treguar se Perëndia nuk i drejtohet Ashazit për llogari të tij, por vetëm ngaqë ai ishte i “shtëpisë së Davidit.” Zoti e kujtoi besëlidhjen e Tij me Davidin. Perëndia nganjëherë bekon njerëzit për hir të etërve të tyre. Ai mund as të mos donte të dëgjonte edhe një fjalë të tyren por ama Ai kujton etërit e tyre dhe miqësinë dhe harmoninë që kishte mes Vetes së Tij dhe etërve të tyre. 13,14. Mos është vallë, një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit,që doni të lodhni edhe Perëndinë tim? Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë:Ja,e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë. Një shenjë tepër e mrekullueshme kjo!
14, 15. Të cilin do ta quajë Emanuel. Ai do të hajë ajkë dhe mjaltë deri sa të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën.
Në lidhje mbi këtë, një komentues i urtë thotë se përpara se fëmijët të jenë të aftë të mësojnë, prindërit e tyre duhet të përkujdesen për vetë ushqimin e tyre si një mjet për t’i bërë të njohur atyre dallimin mes të mirës dhe të ligës.
16. Por para se fëmija të mësojë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën,vendi të cilin ti e druan për shkak të dy mbretërve të tij do të braktiset.
Ky ishte nënshkrimi i mbretit. Juda nuk mund të shkatërrohej dot, sepse Zoti ynë kishte për të dalë nga Juda—dhe kjo ishte shenja që Juda do qëndronte patjetër sepse Emanueli duhet të lindte prej këtij kombi—dhe koha për këtë ngjarje të madhe ishte e fiksuar prej Zotit. Derisa një fëmijë është në vitet e tij të parë,ai nuk dallon mes të mirës dhe të ligës;por më herët se sa një fëmije i duhet për të hyrë në vite përgjegjësie, Perëndia kishte ndërmend t’i asgjësonte të dy këta mbretër—dhe ashtu bëri. Kjo ishte një profeci shumë e mrekullueshme dhe duhet ta kishte mbushur Ashazin me kënaqësi të madhe dhe me mirëbesim në Perëndinë, por ama nuk pati fare një efekt të tillë. Tani ne do lexojmë më shumë për historinë e këtij mbreti Ashaz.
2 Kronikave 28:1-3. Ashazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi,i ati; por ndoqi rrugët e mbretërve të Izraelit, madje bëri shëmbëlltyra prej metali të shkrirë për Baalët. Ai dogji temjan në luginën e Birit të Hinomit dhe dogji në zjarr bijtë e tij,duke ndjekur veprimet e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.
Perëndia pati dëbuar Kananejtë për shkak të këtyre neverive dhe prandaj ishte tepër provokuese për Të që populli i Tij t’i praktikonte ato.
4. Përveç kësaj bënte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta,mbi kodrat dhe nën çdo pemë të gjelbëruar.
Të gjitha këto nuk i mjaftonin—kaq shumë pemë, kaq shumë altare. Ka disa njerëz që përdorin çdo mundësi për mëkat me një zell që do ta bënte flakë të kuqe fytyrën e të krishterëve që nuk janë aq të zellshëm në bindjen e tyre sa këto njerëz janë në të mëkatin e tyre.
5. Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe.
Nuk dukej se robërit do ktheheshin ndonjëherë,prapëseprapë biri i profetit u quajt Shear-Jashub, “Mbetja do kthehet.”Ashazi mund t’i ketë thënë Isaisë, “Emri i fëmijës tënd është një gënjeshtër.”Do ta shikojmë.
6-11. Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Zikri, një trim nga Efraimi,vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit. Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre,dyqind mijë gra,bij dhe bija;u morën atyre edhe një plaçkë të madhe,që e çuan në Samari. Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: “Ja,me qenë se Zoti,Perëndia i etërve tuaj,ishte i zemëruar me Judën,ju dha ata në duart tuaja,por ju i vratë me tërbim,që arriti deri në qiell. Dhe tani doni t’i nënshtroni,si skllevërit tuaj dhe skllave tuaja,bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit,Perëndisë tuaj?Dëgjomëni,pra,dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj,sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju.”
Do ishte mrekulli sikur këto njerëz të egër t’ia vinin veshin profetit me gjithë ato robër përreth tyre. Ishte një akt guximtar nga ana e profetit Obed që doli përpara dhe shqiptoi protestën e tij.
12-15. Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu,bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta,dhe u thanë: “Ju nuk do t’i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t’i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit.”
Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë. Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari. Çfarë gjëje e mrekullueshme që ishte kjo! Ashazi duhet t’i kishte thënë Isaisë, “Emri i fëmijës tënd është fundi i fundit ai i duhuri, sepse mbetja u kthye.” A nuk duket sikur tani Ashazi duhet t’i mirëbesojë Perëndisë? Por vini re çfarë thotë vargu tjetër.
16. Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t’i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë.
Kur njerëzit janë të vendosur të jenë jobesimtarë dhe të pabindur, ata do kërkojnë ndihmë kudo përveçse te Zoti. Izraeli dhe Siria ishin mbretëri shumë të vogla, por Asiria ishte një perandori e madhe, kombi i fuqishëm i asaj kohe. Prapëseprapë asnjë ndihmë nuk i erdhi Ashazit prej asaj ane, sepse ne lexojmë në vargun e njëzetë, “Kështu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij dhe e shtypi në vend që ta ndihmonte.” Vargu i njëzet e një na thotë se Ashazi i dha ryshfet, “megjithatë kjo nuk i vlejti fare.” Kjo është gjithmonë elegjia në fund të gjithë përpjekjeve për të siguruar ndihmën njerëzore në vend të asaj hyjnore.