Predikimi nr 182
7 mars 1858
Nga C.H.Spurgeon
“Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” {#Gjoni 6 :44}
1. Pafuqia e njeriut
1.1 Nuk qëndron në ndonjë defekt fizik
1.2 Nuk qëndron në ndonjë mungesë intelektuale
1.3 Qëndron thellë në natyrën e tij
1.3.1 Qëndron në kryeneçësinë e vullnetit të njeriut
1.3.2 Kuptimi është i errësuar
1.3.3 Ndjenjat janë të korruptuara
1.3.4 Ndërgjegjja është e mposhtur prej Rënies
2. Tërheqjet e Atit
3. Zbatim praktik i doktrinës
“Të vish te Krishti” është një fjali shumë e zakonshme në Shkrimin e Shenjtë. Është e përdorur për të shprehur ato veprime të shpirtit me të cilët, duke braktisur menjëherë vetë-drejtësinë tonë dhe mëkatet tona, ne rendim te Zoti Jezu Krisht dhe marrim drejtësinë e Tij për të qenë mbulesa jonë dhe gjakun e Tij për të qenë shlyerja jonë. Të vish te Krishti, pra, përmban në vetvete pendim, vetë-mohim dhe besim në Zotin Jezus Krisht. Të vish te Krishti përmbledh përbrenda të gjitha ato gjërat që janë shoqërueset e nevojshme të këtyre gjendjeve të mëdha të zemrës, ashtu si besimi i të vërtetave të Perëndisë, zelli i lutjes drejtuar Perëndisë, nënshtrimi i shpirtit parimeve të Ungjillit të Perëndisë dhe të gjitha ato gjëra që shoqërojnë agimin e shpëtimit në shpirt.
Të vish te Krishti është pikërisht gjëja kryesore për shpëtimin e një mëkatari. Ai që nuk vjen te Krishti, le të bëjë çfarë do gjëje tjetër, ose le të mendojë çfarë të dojë, është akoma në “vrer të hidhur dhe në prangat e paudhësisë.” Të vish te Krishti është pikërisht efekti i parë i ripërtëritjes. Jo më vonë se sa kur shpirti gjallërohet, ai menjëherë zbulon gjendjen e tij të humbur, rrezikun e tij të tmerrshëm, kërkon për një strehë dhe duke e besuar Krishtin të jetë një strehë e përshtatshme, rend te Ai dhe prehet në Të.
Atje ku nuk ka ardhje te Krishti, është e sigurtë se nuk ka akoma gjallërim—atje ku nuk ka gjallërim, shpirti është i vdekur në mëkate dhe shkelje—dhe duke qenë i vdekur nuk mund të hyjë në mbretërinë e Qiellit. Ne kemi tani përpara nesh një lajm shumë të habitshëm, disa thonë shumë të papëlqyeshëm. Të vish te Krishti, edhe pse e përshkruar nga disa njerëz si gjëja më e lehtë në botë, në tekstin tonë është e shpallur si një gjë krejtësisht dhe tërësisht e pamundur për çdo njeri, nëse Ati nuk e tërheq te Krishti.
Do të jetë puna jonë pra, të zgjatemi në lidhje me këtë deklaratë. Nuk dyshojmë se do të jetë gjithmonë fyese për natyrën mishore, por megjithatë, fyerja e natyrës njerëzore është ndonjëherë hapi i parë për ta sjellë atë ta përkulë veten përpara Perëndisë. Dhe nëse kjo është efekti i një procesi të dhembshëm, atëherë ne mund të harrojmë dhembjen dhe të gëzohemi në rrjedhojat e lavdishme.
Do të përpiqem këtë mëngjes, së pari, të vërej paaftësinë e njeriut, se për çfarë bëhet fjalë. Së dyti, tërheqjet e Atit—cilat janë ato dhe se si janë të ushtruara mbi shpirtin. Dhe më pas do të përfundoj duke vënë re një ngushëllim që mund të nxirret prej këtij teksti në dukje i tmerrshëm dhe djerrë.
I. Së pari, pra, PAFUQIA E NJERIUT.
Teksti thotë, “Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” Ku qëndron kjo paaftësi?
Së pari, ajo nuk qëndron në ndonjë defekt fizik.
Nëse në ardhjen te Krishti, lëvizja e trupit ose ecja do të mund të ndihmonte, me siguri që njeriu ka të gjithë fuqinë fizike për të ardhur te Krishti në këtë kuptim. Mbaj mend të kem dëgjuar një Antinomian të pamend të deklarojë se nuk besonte se ndonjë njeri të kishte fuqinë për të shkuar në shtëpinë e Perëndisë po të mos e tërhiqte Ati. Epo ky njeri ishte me gjithë mend i çmendur, sepse përndryshe do të kishte parë se për aq sa një njeri jeton dhe ka këmbë, është po aq e lehtë për të të shkojë si në shtëpinë e Perëndisë ashtu dhe në atë të satanait.
Nëse të vish te Krishti nënkupton shqiptimin e një lutjeje, njeriu nuk ka defekt fizik në këtë pikëpamje. Nëse ai nuk është memec, ai mund të thotë një lutje po aq lehtë sa mund të shqiptoje një blasfemi. Është po aq e lehtë për një njeri të këndojë një prej këngëve të Sionit sa të këndojë një këngë blasfemuese epshore. Nuk ka mungesë fuqie fizike për të ardhur te Krishti në lidhje me fuqinë trupore që njeriu pa dyshim që e ka. Dhe çdo pjesë e shpëtimit që qëndron në këtë është krejtësisht dhe tërësisht në fuqinë e njeriut pa ndonjë ndihmë prej Frymës së Perëndisë.
Po ashtu, kjo paaftësi gjithashtu nuk qëndron në ndonjë mungesë intelektuale.
Mund ta besoj këtë Bibël si të vërtetë po aq me lehtësi sa mund të besoj ndonjë libër tjetër si të vërtetë. Për aq sa të besuarit në Krisht është një vepër e mendjes, jam po aq i aftë të besoj në Krisht sa jam i aftë të besoj në çdo njeri tjetër. Le të jetë fjala e tij e vërtetë dhe do të ishte e kotë të më thoni se nuk mund ta besoj atë. Mund të besoj fjalët e Krishtit po aq mirë sa mund të besoj fjalët e çdo njeriu tjetër. Nuk ka mungesë aftësie në mendje—ajo është po aq e aftë, si një akt i thjeshtë mendor, të vlerësojë fajin e mëkatit, po ashtu siç është e aftë të vlerësojë fajin e vrasjes. Është po aq e mundur për mua të ushtroj idenë mendore të të kërkuarit Perëndinë, sa ç’është të ushtroj mendimin e ambicies. Kam të gjithë forcën dhe fuqinë mendore që mundësisht mund të nevojitet, për aq sa fuqia mendore është e nevojshme në shpëtimin. Jo, nuk ka asnjë njeri kaq injorant sa të marrë si pretekst një mungese intelekti si përligjje për të hedhur poshtë Ungjillin. Defekti pra nuk qëndron as në trup, ose, duke folur në mënyrë teologjike, ashtu si e kemi për zakon ta quajmë, në mendje. Nuk ka ndonjë të metë ose paaftësi atje, megjithëse është prishja e mendjes, korruptimi ose rrënimi i saj, ajo që, fundi i fundit, është vetë thelbi i paaftësisë së njeriut.
Më lejoni t’ju tregoj se ku qëndron me të vërtetë kjo pafuqi e njeriut.
Ajo qëndron thellë në natyrën e tij.
Nëpërmjet Rënies dhe nëpërmjet mëkatit tonë, natyra e njeriut u bë kaq e ulët, e prishur dhe e korruptuar sa është e pamundur për të që të vijë te Krishti pa ndihmën e Perëndisë Fryma e Shenjtë. Tani, në përpjekjen për të nxjerr në pah se si natyra e njeriut e bën atë kështu të paaftë të vijë te Krishti, më duhet vetëm që të më lejoni të marr këtë shëmbëlltyrë. Shikoni një dele—se me sa dëshirë ushqehet me bar! Ju kurrë nuk keni parë ndonjëherë një dele të kërkojë mish për të ngrënë; nuk do të mund të jetonte dot me ushqimin e luanit.
Tani më sillni një ujk dhe më pyesni nëse një ujk mund të hajë bar, nëse ai mund të jetë po aq i shtruar dhe i zbutur sa një dele. Ju përgjigjem jo, sepse natyra e tij është e kundërt me këtë. Ju thoni, “Epo mirë, ai ka veshë dhe këmbë. A nuk mund vallë të dëgjojë zërin e bariut dhe ta ndjekë atë kudo që ai e udhëheq?” Përgjigjem, sigurisht. Nuk ka asnjë shkak fizik se pse ai nuk mund ta bëjë këtë, por ama natyra e tij e ndalon ta bëjë—dhe prandaj them se ai nuk mund ta bëjë. Po a nuk mund të zbutet vallë? A nuk mund të hiqet vallë egërsia e tij?
Ndoshta mund të nënshtrohet aq sa mund të bëhet në dukje i zbutur, por do të ketë gjithmonë një dallim të spikatur midis tij dhe deles, sepse ka një dallim në natyrë. Tani, arsyeja se pse njeriu nuk mund të vijë te Krishti nuk është sepse ai nuk mund të vijë dot, për aq sa ka të bëjë me trupin e tij ose thjesht fuqinë e mendjes së tij. Njeriu nuk mund të vijë te Krishti, sepse natyra e tij është kaq e korruptuar sa ai nuk ka as vullnetin as fuqinë për të ardhur te Krishti po të mos tërhiqet prej Frymës.
Por më lejoni t’ju jap një ilustrim më të mirë. Shihni një nënë me foshnjën e saj në krahë. Vendosni një thikë në dorën e saj dhe i thoni të godasë atë foshnjë në zemër. Ajo përgjigjet dhe me shumë vërtetësi, “Nuk mundem.” Tani, për aq sa ka të bëjë me fuqinë e saj fizike, ajo mundet nëse i pëlqen. Ja ku është thika dhe ja ku është fëmija. Fëmija nuk mund të rezistojë dhe ajo ka forcë të mjaftueshme në dorën e saj për ta goditur me thikë menjëherë. Mirëpo ajo ka më se të drejtë kur thotë se nuk mund ta bëjë këtë gjë. Si një akt thjesht i mendjes, është shumë e mundur që ajo të mund të mendojë për një gjë të tillë si vrasja e fëmijës dhe megjithatë prapëseprapë ajo thotë se nuk mund të mendojë për një gjë të tillë. Dhe ajo nuk e thotë këtë gjë duke u shtirur, sepse natyra e saj si një nënë e ndalon të bëjë një gjë që neverit shpirtin e saj. Thjesht ngaqë është prindi i atij fëmije, ajo ndjen se nuk mund ta vrasë atë. Po kështu është dhe me një mëkatar. Të vijë te Krishti është kaq e urryeshme për natyrën njerëzore sa edhe pse, për aq sa ka të bëjë me forcat fizike dhe mendore, (dhe këto nuk kanë veçse një pjesë shumë të ngushtë në shpëtimin), njerëzit mund të vinin nëse do të donin—është po aq me saktësi korrekte të thuash se ata nuk mund dhe nuk do të vijnë po të mos tërhiqen prej Atit që ka dërguar Krishtin. Le të hyjmë pak më thellë në subjekt dhe do të përpiqem t’ju tregoj se ku qëndron kjo pafuqi, në hollësitë e saj më të vogla.
1. Së pari ajo qëndron në kryeneçësinë e vullnetit të njeriut.
“Oh,” thotë Arminiani, “njerëzit mund të shpëtohen nëse do të donin.” Ne përgjigjemi, “zotëri i dashur, ne të gjithë e besojmë këtë. Por është pikërisht me nëse do të donin ku gjendet vështirësia. Ne pohojmë se asnjë njeri nuk do që të vijë te Krishti nëse nuk është i tërhequr. Jo, nuk jemi ne që e pohojmë këtë, por vetë Krishti e deklaron—”Por ju nuk doni të vini tek Unë që të keni jetën.” Dhe për aq gjatë sa “nuk doni” qëndron e shënuar në Shkrimin e Shenjtë, besimi në çfarëdo doktrine të vullnetit të lirë të njeriut përjashtohet.
Është e çuditshme se si njerëzit, kur flasin për vullnetin e lirë, flasin për gjëra që nuk i kuptojnë aspak. “Epo” thotë njeri, “Unë besoj se njerëzit mund të shpëtohen nëse do të donin.” Zotëri i dashur, nuk është fjala aty. Fjala është se a duan njerëzit natyrshëm t’i nënshtrohen fjalëve përulëse të Ungjillit të Krishtit? Ne deklarojmë, me autoritetin e Shkrimit se vullneti njerëzor është kaq i prapë, kaq i korruptuar dhe kaq i prirur për çdo gjë që është e ligë—kaq i pa prirur për çdo gjë që është e mirë—sa pa ndikimin e fuqishëm, mbinatyror, të pakundërshtueshëm të Frymës së Shenjtë, asnjë vullnet njerëzor nuk do të prihet drejt Krishtit.
Më përgjigjeni se njerëzit ndonjëherë duan, pa ndihmën e Frymës së Shenjtë. Përgjigjem—a keni takuar ndonjëherë një njeri të tillë? Me qindra, jo, mijëra të krishterë kam bashkëbiseduar, të opinioneve të ndryshme, të rinj dhe të vjetër—por nuk ka qenë kurrë risku im të takohem me ndonjë që të pohojë se erdhi te Krishti vetë pa qenë i tërhequr. Rrëfimi universal i të gjithë besimtarëve të vërtetë është ky—”E di se nëse Jezu Krishti nuk do të më kishte tërhequr atëherë kur isha i huaj i hallakatur larg prej kopesë së Perëndisë, edhe në këtë orë do të isha duke u hallakatur larg prej Tij—i ftohtë ndaj Tij—dhe duke e pëlqyer këtë ftohtësi.” Me miratim të përbashkët, të gjithë besimtarët pohojnë të vërtetën e Perëndisë se njerëzit nuk do të vijnë te Krishti po të mos i tërheqë Ati që ka dërguar Krishtin.
2. Po ashtu, jo vetëm që vullneti është kokëfortë, por kuptimi është i errësuar.
Për këtë ne kemi në Shkrimet provë të bollshme. Tani unë nuk po bëj thjesht pohime, por jam duke shpallur doktrina të mësuara me autoritet në Shkrimet e Shenjta dhe të njohura në ndërgjegjen e çdo të krishteri—se kuptimi i njeriut është kaq i errësuar sa ai, me çdo mënyrë, nuk mund të kuptojë gjërat e Perëndisë nëse kuptimi i tij nuk është hapur. Njeriu prej natyre është i verbër përbrenda. Kryqi i Krishtit, kaq i ngarkuar me lavdi dhe duke shndritur me ngashënjime, kurrë nuk e tërheq atë, sepse ai është i verbër dhe nuk mund të shikojë bukuritë e kryqit. Foli atij për mrekullitë e krijimit. Tregoi harkun shumëngjyrësh që përshkon qiellin. Le të shikojë lavditë e një peizazhi—ai është shumë i aftë të shikojë të gjitha këto gjëra.
Por foli për mrekullitë e Besëlidhjes së Hirit, foli për sigurinë e besimtarit në Krisht, foli për bukuritë e Personit të Shpëtimtarit, ai është krejtësisht shurdh ndaj gjithë përshkrimit tënd. Është e vërtetë se je si dikush që i bie një melodie tërheqëse. Por ai nuk shikon, ai është i shurdhët, nuk ka kuptim. Ose, për t’u kthyer te vargu që veçuam në leximin tonë, “Njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t`i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht,” dhe meqenëse ai është një njeri natyror, nuk është në pushtetin e tij të dallojë gjërat e Perëndisë. “Epo,” thotë dikush, “mendoj se kam arritur në një gjykim shumë të pranueshëm në çështjet e teologjisë, mendoj se kuptoj pothuajse çdo pikë.”
E vërtetë, që mund ta bësh këtë në kuptimin e ngushtë. Por në frymën e tyre, në marrjen e vërtetë të tyre në shpirt dhe në kuptimin e vërtetë të tyre, është e pamundur për ty ta kesh arritur—nëse nuk je tërhequr prej Frymës. Sepse për aq gjatë sa Shkrimi qëndron i vërtetë—se njerëzit e mishit nuk mund t’i pranojnë gjërat shpirtërore—duhet të jetë e vërtetë se nuk i ke marrë ato, po të mos jesh ripërtëritur dhe bërë një njeri shpirtëror në Krishtin Jezus. Vullneti pra dhe kuptimi janë dy porta të mëdha, që të dyja të mbyllura për ne për të ardhur te Krishti. Dhe derisa këto të hapen prej ndikimit të ëmbël të Frymës Hyjnore, ato do të mbesin gjithmonë të mbyllura ndaj çdo gjëje që lidhet me ardhjen te Krishti.
3. Po ashtu, ndjenjat, që përbëjnë një pjesë shumë të madhe të njeriut, janë të korruptuara.
Njeriu, ashtu siç është, përpara se të marrë hirin e Perëndisë, do gjithçka dhe çdo gjë më shumë se gjërat shpirtërore. Nëse doni provë për këtë, shikoni përreth jush. Nuk ka nevojë për monument për fëlliqësinë e ndjenjave njerëzore. Hidhni sytë kudo—nuk ka rrugë, as shtëpi, jo, as zemër, që nuk mban në të një dëshmi të trishtë të kësaj të vërtete të kobshme. E pse vallë njerëzit nuk gjenden në Ditën e Zotit duke vërshyer të gjithë për në shtëpinë e Perëndisë? E pse vallë ne nuk gjendemi më vazhdimisht duke lexuar Biblat tona? Si mund të shpjegohet vallë se lutja është një detyrë që është pothuajse universalisht e lënë pas dore? Si është e mundur që Krishti Jezus duhet kaq pak? Si shpjegohet që madje edhe ndjekësit e Tij të njohur janë kaq të ftohtë në ndjenjat e tyre ndaj Tij?
Nga vijnë gjithë këto gjëra? Me siguri, Vëllezër të shtrenjtë, ne nuk mund t’i gjejmë burimin në asnjë burim tjetër përveç këtij—korruptimi dhe zvetënimi i ndjenjave. Ne duam atë që duhet të urrejmë dhe urrejmë atë që duhet të duam. Nuk është veçse prej natyrës njerëzore, natyrës njerëzore të rënë—që njeriu do më tepër këtë jetë të tashme se sa jetën e ardhshme. Nuk është veçse efekti i Rënies që njeriu do mëkatin më shumë se sa drejtësinë dhe shtigjet e kësaj bote më tepër se rrugët e Perëndisë. Dhe përsëri, ne e përsërisim këtë—nëse këto ndjenja nuk ripërtërihen dhe nuk futen në një binar të ri prej tërheqjeve të hirshme të Atit, nuk është e mundur për një njeri ta dojë Zotin Jezu Krisht.
4. Përsëri, një më shumë—ndërgjegjja, gjithashtu, është e mposhtur prej Rënies.
Besoj se nuk ka gabim më të rëndë nga fetarët kur këta i mësojnë njerëzve se ndërgjegjja është përfaqësuesi i Perëndisë përbrenda shpirtit dhe është një nga ato fuqitë që e ka ruajtur dinjitetin e saj të vjetër dhe qëndron e ngritur mes rënies së të ngjashmëve të saj. Vëllezërit e mi, kur njeriu ra në kopshtin e Edenit, njerëzimi ra tërësisht. Nuk kishte as dhe një shtyllë të vetme në tempullin e njerëzimit që mbeti më këmbë. Është e vërtetë, ndërgjegjja nuk u shkatërrua. Shtylla nuk u thërrmua. Ajo ra dhe ra si një copë e vetme, dhe ja ku qëndron vetëm—mbetja më e fuqishme e veprës së përkryer një herë e një kohë të Perëndisë në njeriun.
Por se ndërgjegjja ka rënë, jam i sigurtë për këtë. Shikoni njerëzit. Cili midis tyre është zotëruesi i “një ndërgjegje të mirë te Perëndia,” përveçse njeriu i ripërtëritur. A e merrni me mend se nëse ndërgjegjet e njerëzve do t’i flisnin atyre gjithmonë me zë të lartë dhe qartë se ata do të jetonin në kryerjen e përditshme të veprimeve që janë të kundërta me drejtësinë ashtu si errësira me dritën? Jo, të dashur—ndërgjegjja mund të më thotë mua se jam një mëkatar, por ndërgjegjja nuk mund të më bëjë të ndjehem i tillë. Ndërgjegjja mund të më thotë se kjo ose ajo gjë është e gabuar, por se sa e gabuar është, vetë ndërgjegjja nuk e di. A i tha ndonjëherë ndërgjegjja ndonjë njeriu, të pandriçuar prej Frymës se mëkatet e tij meritojnë mallkim? Ose nëse ndërgjegjja me të vërtetë e bëri këtë, a bëri ndonjëherë ndonjë njeri të ndjejë një neveri të mëkatit si mëkat? Në fakt, a solli ndërgjegjja ndonjë njeri në një vetë mohim të tillë sa ai të ketë neveri për veten dhe gjithë veprat e tij dhe të vijë te Krishti? Jo, ndërgjegjja, edhe pse nuk është e vdekur, është e rrënuar. Fuqia e saj është e dobësuar, nuk e ka atë kthjelltësi syri dhe atë forcë dore dhe atë zë buçitës që pati përpara Rënies. Ajo ka reshtur, në një shkallë të madhe të ushtrojë epërsi në qytetin e Shpirtit të njeriut. Atëherë, të dashur, është e nevojshme për vetë këtë arsye, ngaqë ndërgjegjja është e korruptuar, që Fryma e Shenjtë të hyjë brenda dhe të na tregojë nevojën tonë për një Shpëtimtar dhe të na tërheqë te Zoti Jezu Krisht.
“Mirëpo,” thotë dikush, “deri tani, më duket se ti mendon se arsyeja pse njerëzit nuk vijnë te Krishti është se nuk duan, më shumë se sa ngaqë nuk munden.” E vërtetë, shumë e vërtetë. Besoj se arsyeja më e madhe e pafuqisë së njeriut është kryeneçësia e vullnetit të tij. Nëse ky mposhtet, mendoj se guri i madh është hequr tutje prej varrit dhe pjesa më e vështirë e betejës është tashmë e fituar. Por më lejoni të shkoj pak më tutje. Teksti im nuk thotë, “Askush nuk do që të vijë,” por thotë, “Askush nuk mund të vijë.” Tani, shumë interpretues besojnë se kjo fjala “mund” këtu nuk është veçse një shprehje e fortë duke mos mbartur jo më shumë domethënie se fjala “do”. Ndjehem i sigurtë se kjo nuk është e saktë.
Ka në njeriun jo vetëm pavullnetshmëri për t’u shpëtuar, por ka edhe një pafuqi shpirtërore për të ardhur te Krishti. Dhe këtë do t’ia provoj medoemos çdo të krishteri. Të dashur, po ju flas juve që jeni tashmë të ngjallur prej Hirit Hyjnor. A nuk ju mëson përvoja juaj se ka periudha kur keni vullnetin për t’i shërbyer Perëndisë dhe prapëseprapë nuk keni fuqinë? A nuk keni qenë ndonjëherë të detyruar të thoni se keni dëshiruar të besoni, por se ju është dashur të luteni, “Zot, ndihmo mosbesimin tim?” Ngaqë, edhe pse mjaft të vullnetshëm për të marrë dëshminë e Perëndisë, vetë natyra juaj mishërore ishte tepër e fortë për ju dhe ju ndjetë se kishit nevojë për ndihmë të mbinatyrshme.
A jeni të aftë të shkoni në dhomën tuaj në çdo orë që të zgjidhni dhe të bini në gjunjë dhe të thoni, “Tani, është vullneti im për të qenë tepër i zellshëm në lutje dhe që t’i afrohem më shumë Perëndisë”? Pyes, a ju duket fuqia juaj e barabartë me vullnetin tuaj? Ju mund të thoni, madje edhe përpara vetë Perëndisë, se jeni të sigurtë se nuk keni gabuar kur ndjeheni të vullnetshëm.
Ju doni të mbështilleni në devocion. Ju doni që shpirti juaj të mos largohet prej një soditjeje të pastër të Zotit Jezu Krisht, por zbuloni se nuk mund ta bëni dot këtë, edhe atëherë kur jeni të vullnetshëm, pa ndihmën e Frymës së Perëndisë!
Tani, nëse fëmija i ngjallur i Perëndisë zbulon një paaftësi shpirtërore, aq më shumë mëkatari që është i vdekur në shkelje dhe mëkate? Nëse edhe i krishteri i përparuar, mbas tridhjetë ose dyzet vjetësh, e shikon veten ndonjëherë të vullnetshëm dhe prapëseprapë të pafuqishëm—nëse i tillë është përjetimi i tij—a nuk duket më se e mundshme se mëkatari i gjorë që akoma nuk ka besuar të ketë nevojë për fuqi po ashtu si edhe për vullnet?
Por përsëri, ka një tjetër argument. Nëse mëkatari ka forcë për të ardhur te Krishti, do të doja të dija se si duhet t’i kuptojmë ato përshkrime të vazhdueshme të gjendjes së mëkatarit që ndeshim në Fjalën e Shenjtë të Perëndisë? Tani, mëkatari është i përshkruar si i vdekur në shkelje dhe mëkate. A do të pohoni vallë se vdekja nuk nënkupton asgjë më shumë se mungesën e vullnetit? Me siguri që një kufomë është tërësisht e pafuqishme ashtu dhe e pavullnetshme. Po ashtu, të gjithë njerëzit a nuk e kuptojnë se ka një dallim midis vullnetit dhe fuqisë? A nuk mund të ngjallet mjaftueshëm ajo kufomë për të marrë një vullnet dhe prapëseprapë të jetë kaq e pafuqishme sa të mos të ngrejë as këmbën dhe as dorën? A nuk kemi parë vallë raste ku njerëzit kanë qenë të ngjallur përsëri pikërisht aq sa duhet për të dhënë provë jete—dhe prapëseprapë kanë qenë kaq afër vdekjes sa nuk do të mund të kryenin as veprimin më të vogël?
A nuk ka një dallim të qartë midis dhënies së vullnetit dhe dhënies së fuqisë? Është shumë e sigurt, megjithatë, se atje ku vullneti është dhënë, fuqia do të ndjekë. Bëj një njeri të vullnetshëm dhe ai do të bëhet i fuqishëm, sepse kur Perëndia jep vullnetin, Ai nuk e sfilit njeriun duke i dhënë të dëshirojë për atë që ai është i paaftë të bëjë. Prapëseprapë Ai bën një ndarje të tillë midis vullnetit dhe fuqisë, që të mund të kuptohet se të dyja gjërat janë dhurime krejtësisht të veçanta prej Zotit Perëndi.
Më pas më duhet që të bëj edhe një pyetje. Nëse të bësh një njeri të vullnetshëm do të ishte gjithçka që do të ishte e nevojshme, a nuk do ta zhvlerësonit menjëherë Frymën e Shenjtë? A nuk e kemi ne për zakon t’i japim të gjithë lavdinë e shpëtimit të kryer në ne Perëndisë Frymës së Shenjtë? Por tani, nëse gjithçka që Perëndia Fryma e Shenjtë bën për mua është që të më bëjë të vullnetshëm për të bërë vetë këto gjëra, a nuk jam kështu në një masë të madhe një pjesëmarrës me Frymën e Shenjtë në lavdi? Dhe atëherë a nuk do të ngrihesha me kurajë dhe a nuk do të thosha, “Është e vërtetë se Fryma më dha vullnetin për ta bërë këtë, por ama e bëra vetë dhe prandaj do të lavdërohem. Sepse nëse i kam bërë këto gjëra vetë pa ndihmën prej së larti, nuk do ta hedh kurorën time te këmbët e Tij. Është vetë kurora ime, jam unë që e fitova atë dhe do ta ruaj.” Meqenëse Fryma e Shenjtë vihet gjithmonë në dukje në Shkrim si Personi që punon ndër ne, duke bërë që të duam dhe të veprojmë sipas vullnetit të Tij të mirë, ne na duket si rrjedhojë e drejtë se Ai duhet të bëjë diçka më shumë për ne se sa thjesht bërjen tonë të vullnetshëm. Prandaj duhet të ketë diçka tjetër përveç mungesës së vullnetit në një mëkatar—duhet të ketë mungesë absolute dhe reale fuqie.
Tani, përpara se të mbaroj të flas për këtë, më lejoni t’ju drejtohem ju për një çast. Shpesh jam i akuzuar se predikoj doktrina që mund të bëjnë një dëm shumë të madh. Epo mirë, nuk e mohoj akuzën, sepse nuk jam i kursyer në fjalë për t’u përgjigjur në këtë gjë. Kam dëshmitarët e mi këtu të pranishëm për të provuar se gjërat që kam predikuar kanë bërë një dëm shumë të madh, por ama ato nuk kanë dëmtuar as moralin as Kishën e Perëndisë. Dëmi ka qenë në anën e satanait. Nuk ka një apo dy, por qindra që këtë mëngjes gëzojnë që janë sjellë afër Perëndisë. Dikur blasfemues, Shabatshkelës, pijanecë, ose njerëz të botës, ata janë sjellë të njohin dhe të duan Zotin Jezu Krisht. Dhe nëse kjo përbën ndonjë dëm, atëherë Perëndia në mëshirën e Tij të pafundme na dërgoftë një mijë herë më shumë.
Por akoma, a ka të Vërtetë në këtë botë që nuk do ta dëmtonte një njeri nëse ai zgjedh të dëmtohet prej saj? Ju që predikoni shpëtimin e përgjithshme, jeni shumë të dhënë për të shpallur të vërtetën e madhe të mëshirës së Perëndisë deri në çastin e fundit. Por si guxoni të predikoni këtë? Shumë njerëz i bëjnë dëm vetes me këtë duke e shtyrë ditën e hirit dhe duke menduar se ora e fundit mund të mjaftojë po ashtu si e para. Si kështu, nëse predikojmë ndonjëherë ndonjë gjë që njeriu mund ta shpërdorojë dhe abuzojë, atëherë na u dashka të mbyllim gojën përherë. Mirëpo thotë dikush akoma, “Mirë atëherë, nëse nuk mund ta shpëtoj dot veten dhe nuk mund të vij te Krishti, do të ulem e nuk do të bëj asgjë.”
Nëse njerëzit flasin kështu, në kokat e tyre do të bjerë gjykimi. Ju kemi thënë shumë shkoqur se ka shumë gjëra që mund të bëni. Të gjendesh vazhdimisht në shtëpinë e Perëndisë është në fuqinë tënde. Të studiosh Fjalën e Perëndisë me zell është në fuqinë tënde. Të heqësh dorë nga mëkati yt i dukshëm, të braktisësh veset e mëparshme, të besh jetën tënde të ndershme, të matur dhe të drejtë është në fuqinë tënde. Për këtë nuk ke nevojë për ndihmë nga Fryma e Shenjtë. Gjithë këtë mund ta bësh vetë. Por të vish te Krishti me të vërtetë nuk është në fuqinë tënde po të mos ripërtërihesh prej Frymës së Shenjtë. Mirëpo dalloj se mungesa jote e fuqisë nuk është një justifikim, duke qenë se nuk ke dëshirë të vish dhe po jeton në rebelim të vullnetshëm kundra Perëndisë. Mungesa jote e fuqisë qëndron kryesisht në kokëfortësinë e natyrës tënde. Merrni me mend një gënjeshtar të thotë se nuk është në fuqinë e tij të flasë të vërtetën, se ai ka qenë gënjeshtar për një kohë kaq të gjatë sa nuk mund të shkëputet dot. A është një justifikim për të? Merrni me mend një njeri që për një kohë të gjatë ka jetuar në epshe t’ju thotë se i duket se epshi kaq shumë e ka mbërthyer si një rrjetë e hekurt sa ai nuk mund ta heqë dot qafe. A do ta merrnit atë si një justifikim? Me të vërtetë që nuk është aspak një gjë e tillë. Nëse një pijanec është bërë kaq keq një pijanec sa i duket e pamundur të kalojë përpara një bari pa hyrë brenda, a e falni për këtë arsye atë? Jo, sepse paaftësia e tij për t’u ndrequr qëndron në natyrën e tij—të cilën ai nuk ka dëshirë ta përmbajë ose ta mposhtë.
Gjëja që është kryer dhe gjëja që shkakton gjënë që është kryer—duke qenë që të dyja prej rrënjës së mëkatit—janë dy të liga që nuk mund të justifikojnë njëra tjetrën. Është ngaqë keni mësuar të bëni të ligën që nuk mund të mësoni tani të bëni mirë, dhe prandaj, në vend që të uleni duke justifikuar veten—më lejoni që t’ju lëshoj një rrufe poshtë stolit të plogështisë suaj—që të mund të shkundeni prej saj dhe të ngriheni. Mos harroni se të ulesh pa bërë gjë do të thotë të mallkohesh për gjithë përjetësinë. Oh, Perëndia Fryma e Shenjtë përdortë këtë të vërtetë të Perëndisë në një mënyrë krejtësisht tjetër! Përpara se të kem përfunduar kam besimin se do të mundësohem t’ju tregoj se si kjo e vërtetë, që në dukje dënon njerëzit dhe i lë jashtë, është fundi i fundit, e vërteta e madhe e Perëndisë që është bekuar për kthimin në besim të njerëzve.
II. Pika jonë e dytë është TËRHEQJET E ATIT.
“Askush nuk mund të vijë tek Unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.” Si pra, Ati i tërheq njerëzit? Fetarët arminianë në përgjithësi thonë se Perëndia i tërheq njerëzit nëpërmjet predikimit të Ungjillit. Shumë e vërtetë. Predikimi i ungjillit është instrumenti i tërheqjes së njerëzve, por duhet të ketë diçka më shumë se kjo. Më lejoni të pyes se kujt ia drejtoi këto fjalë Krishti? Ia drejtoi njerëzve të Kapernaumit, ku Ai shpesh pati predikuar, ku pati shqiptuar me vajtim dhe me pikëllim mallkimet e ligjit dhe ftesat e Ungjillit. Në atë qytet Ai pati bërë shumë vepra të fuqishme dhe shumë mrekulli! Në fakt, Ai i pati dhënë atyre një mësim të tillë dhe dëshmi të tillë të mrekullueshme sa Ai shpalli se Tiri dhe Sidoni do të ishin penduar me kohë me thes e hi sikur të ishin bekuar me privilegje të tilla. Tani nëse predikimi i vetë Krishtit nuk hyri në punë për të mundësuar këta njerëz të vijnë te Krishti, nuk mund të jetë e mundur që gjithçka që ishte e nënkuptuar me tërheqjet e Atit të ishte thjesht predikimi. Jo Vëllezër, duhet që të vëreni sërish se Ai nuk thotë se asnjë njeri nuk mund të vijë po të mos e tërheqë shërbenjësi, por po të mos e tërheqë Ati.
Tani, nuk mund të tërhiqesh prej Ungjillit dhe shërbenjësit pa qenë i tërhequr prej Perëndisë. Është e qartë se bëhet fjalë për tërheqjen Hyjnore, një tërheqje prej Shumëtëlartit—Personi i Parë i Trinitetit tepër të lavdishëm që dërgon Personin e Tretë, Frymën e Shenjtë, për të shtyrë njerëzit të vijnë te Krishti. Del një tjetër njeri dhe thotë me një përqeshje, “Atëherë a mendon se Krishti i tërheq njerëzit te Vetja duke parë se ata janë të pavullnetshëm!” Më kujtohet se kam takuar njëherë dikë që më tha, “Zotëri, ju predikoni se Krishti i kap njerëzit prej flokësh dhe i tërheq te Vetja.” E pyeta se a mund të përmendte datën e predikimit kur paskam predikuar këtë doktrinë të jashtëzakonshme, sepse nëse do të mundte, atëherë do t’ia dija shumë për nder. Megjithatë, ai nuk mundi dot.
Por unë i thashë se ndërsa Krishti nuk i tërheq njerëzit te Vetja prej flokëve, besoj se Ai i tërheq ata prej zemrës po aq fuqishëm sa karikatura juaj sugjeron. Vini re se në tërheqjet e Atit nuk ka fare detyrim. Krishti kurrë nuk ka shtrënguar ndonjë njeri të vijë te Ai kundra vullnetit të tij. Nëse një njeri është i pavullnetshëm për t’u shpëtuar, Krishti nuk e shpëton atë kundra vullnetit të tij. Si pra Fryma e Shenjtë e tërheq atë? Epo, duke e bërë atë të vullnetshëm. Është e vërtetë se Ai nuk përdor “kandisje morale.” Ai njeh një metodë më të drejtpërdrejtë për të arritur zemrën. Ai shkon në burimin e fshehtë të zemrës dhe e di se si, nëpërmjet disa veprimeve të mistershme, të kthejë vullnetin në një drejtim të kundërt, kështu që, ashtu si Ralf Erskini e thotë në mënyrë paradoksale, njeriu shpëtohet “me pëlqim të plotë kundra vullnetit të tij,” domethënë, ai shpëtohet kundra vullnetit të tij të vjetër.
Mirëpo ai shpëtohet me pëlqim të plotë, sepse bëhet që të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit të Perëndisë. Mos përfytyroni se ndonjë njeri do të shkojë në Qiell duke shkelmuar dhe duke luftuar përgjatë gjithë rrugës kundra dorës që e tërheq. Mos mendoni se ndonjë njeri do të zhytet në burimin e gjakut të Shpëtimtarit ndërsa është duke u përpjekur të ikë tutje larg prej Shpëtimtarit. Oh, jo! Është shumë e vërtetë se së pari njeriu nuk do që të shpëtohet. Kur Fryma e Shenjtë ka vënë ndikimin e Tij në zemër, teksti përmbushet—”tërhiqmë te Ti dhe unë do të rend pas Teje.” Ne e ndjekim ndërsa Ai na tërheq, të lumtur t’i bindemi zërit që një herë e një kohë e patëm përçmuar. Por pika themelore qëndron në ndryshimin e vullnetit.
Se si kjo kryhet asnjë mish nuk e di. Është një prej atyre mistereve që dallohet qartë si fakt, por që shkakun asnjë gjuhë nuk mund ta shprehë dhe asnjë zemër nuk mund të gjejë. Mënyrën e dukshme, sidoqoftë, sipas së cilës Fryma e Shenjtë vepron, mund t’jua themi. Gjëja e parë Fryma e Shenjtë bën kur vjen në zemrën e një njeriu është kjo—Ai e gjen atë me një opinion shumë të mirë për veten. Dhe nuk ka asgjë të tillë që parandalon një njeri të vijë te Krishti si opinioni i mirë për veten. “Pse,” thotë njeriu, “Nuk dua të vij te Krishti. Kam një drejtësi të tillë sa çdo njeri do ta donte. Ndjej se mund të vazhdoj të eci drejt Qiellit me të drejtat e mia. Fryma e Shenjtë nxjerr sheshit zemrën e tij—e bën që të shikojë kancerin e tmerrshëm që është atje duke brejtur jetën e tij—i zbulon atij të gjithë të zitë dhe fëlliqësinë e atij gjirizi të Ferrit, që është zemra e njeriut. Atëherë njeriu qëndron i shtangur, “Nuk do ta kisha menduar kurrë se jam kështu. Oh, ato mëkate që mendoja se ishin pak gjë, janë fryrë në një shtat gjigant. Ajo që mendoja se ishte një kërp dheu u rrit sa një mal. Më përpara nuk ishte veçse një hisop në mur, por tani është bërë një kedër i Libanit.”
“Oh,” thotë njeriu përbrenda tij, “Do të përpiqem dhe do të përmirësohem. Do bëj mjaft vepra të mira për të fshirë këto vepra të zeza.” Atëherë vjen Fryma e Shenjtë dhe i tregon atij se ai nuk mund ta bëj dot këtë gjë, i merr të gjithë fuqinë dhe forcën e përfytyruar, kështu që njeriu bie në gjunjë në agoni dhe thërret, “Oh, një herë kujtoja se mund ta shpëtoja veten nëpërmjet veprave të mia të mira, por tani shikoj se—
“Sikur gjithë lotët e mi përherë t’derdhen,
sikur zelli im të mos njohë pushim,
asgjë mëkatin nuk do shlyente dot,
Ti duhet të më shpëtosh dhe Ti vetëm.”
Atëherë zemra fundoset dhe njeriu është gati të dëshpërohet. Dhe thotë, “Nuk mund të shpëtohem kurrë. Asgjë nuk mund të më shpëtojë.” Atëherë, vjen Fryma e Shenjtë dhe i tregon mëkatarit Kryqin e Krishtit, i jep sy të vajosur me kolir qiellor dhe thotë, “Shiko atje te Kryqi. Ai Njeri vdiq për të shpëtuar mëkatarët. Ti ndjen se je një mëkatar. Ai vdiq për të të shpëtuar.” Dhe Zoti Fryma e Shenjtë mundëson zemrën të besojë dhe të vijë te Krishti. Dhe kur vjen te Krishti, nëpërmjet kësaj tërheqjeje të ëmbël të Frymës, gjen “një paqe me Perëndinë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie duke ruajtur zemrën dhe mendjen e tij në Krishtin Jezus, Zotin tonë.” Tani, ju mund të dalloni qartë se e gjithë kjo mund të kryhet pa as edhe një detyrim. Njeriu është po aq i tërhequr vullnetarisht, sa nuk do të ishte i tërhequr vullnetarisht nëse nuk do të ishte tërhequr aspak. Dhe ai vjen te Krishti me pëlqim të plotë, me një pëlqim po aq të plotë sa sikur asnjë ndikim i fshehtë të mos ishte ushtruar ndonjëherë në zemrën e tij. Por ai ndikim duhet të ushtrohet, ose përndryshe nuk ka pasur kurrë dhe kurrë nuk do të ketë ndonjë njeri që ose mund ose do që të vijë te Zoti Jezu Krisht.
III. Dhe tani, do të përfundojmë duke u përpjekur të bëjmë një zbatim praktik të doktrinës.
Dhe ne i mirëbesojmë një doktrine ngushëlluese. “Epo,” thotë njeri “nëse ajo çfarë ky njeri predikon është e vërtetë, atëherë çfarë do të bëhet me fenë time? Sepse a e di se për një kohë të gjatë kam qenë duke bërë përpjekje dhe nuk më pëlqen të të dëgjoj të thuash se një njeri nuk mund ta shpëtojë vetveten. Besoj se ai mundet dhe kam ndërmend të këmbëngul. Por nëse do të besoja çfarë ti thua, atëherë më duhet të heq dorë nga të gjitha këto dhe të filloj përsëri.” Miq të shtrenjtë, do të ishte një gjë shumë e gëzueshme nëse bëni kështu. Mos mendoni se do të alarmohem nëse bëni kështu. Mos harro se jeni duke ndërtuar shtëpinë tuaj mbi rërë dhe nuk është veçse një veprim mëshire prej meje nëse do të mund ta shkund pak për ju. Më lejoni t’ju siguroj, në emrin e Perëndisë, se nëse feja juaj nuk ka themel më të mirë se forca juaj, nuk do të qëndrojë dot përpara Perëndisë. Asgjë nuk do të vazhdojë në përjetësi përveç asaj që vjen prej përjetësisë. Nëse Perëndia i përjetshëm nuk ka kryer një vepër të mirë në zemrën tuaj, gjithçka që ju mund të keni bërë duhet të dalë sheshit në ditën e fundit të llogarisë. Është fare e kotë për ju të jeni kishëvajtës, ruajtës të mirë të Shabatit, duke iu përmbajtur lutjeve tuaja. Është e gjithë e kotë për ju të jeni të ndershëm me të afërmin tuaj dhe me emër të mirë në sjelljen tuaj. Është fare e kotë ta vendosni besimin tuaj në këto gjëra nëse shpresoni të shpëtoheni nëpërmjet tyre.
Vazhdoni—jini aq të ndershëm sa të doni. Ruani Ditën e Zotit përherë, jini aq të shenjtë sa të mundni. Nuk dua t’ju shkëshilloj këto gjëra. Mos qoftë e thënë. Rrituni në to, por oh, mos e vini besimin në to. Sepse nëse mbështeteni mbi këto gjëra atëherë do të shikoni se do t’ju lënë në baltë atëherë kur keni më shumë nevojë për to. Dhe nëse ka ndonjë gjë tjetër për të cilën të duket se je i aftë për ta kryer i pandihmuar prej Hirit Hyjnor, aq më shpejt të heqësh dorë prej shpresës që është pjellë prej saj, aq më mirë për ty—sepse është një zhgënjim i marrë të mbështetesh mbi gjëra që mishi mund të bëjë.
Një Parajsë shpirtërore duhet të banohet prej njerëzish shpirtërorë dhe përgatitja për të duhet të jetësohet nga Fryma e Perëndisë. “Epo mirë” ia pret një tjetër, “Kam qenë në një shërbesë ku më është thënë se mund, duke zgjedhur vetë, të pendohem dhe të besoj dhe rrjedhoja është se e kam shtyrë atë nga dita në ditë. Mendova se mund të vija në cilëndo ditë. Mendova se më duhej vetëm të thosha, “Zot, ki mëshirë për mua,” dhe menjëherë do të besoja për shpëtim. Tani, ju ma keni hequr gjithë këtë shpresë, zotëri. Po ndjej se habia dhe tmerri po më mbërthejnë.” Përsëri, po të them, “Miku im i shtrenjtë, jam shumë i kënaqur për këtë. Ky ishte efekti që shpresoja të prodhoja, nëpërmjet hirit të Perëndisë. Lutem që të mund ta ndjesh këtë akoma më shumë. Kur nuk ke shpresë për të shpëtuar vetveten, atëherë do të kem shpresë se Zoti ka filluar të të shpëtojë.”
Sapo të thuash, “Oh, nuk mund të vij te Krishti. Zot, më tërhiq, më ndihmo,” do të gëzohem për ty. Ai që ka marrë një vullnet, edhe pse nuk ka fuqi, ka fillesat e hirit në zemrën e tij dhe Perëndia nuk do ta lërë derisa vepra të kryhet. Por, mëkatar i pakujdesshëm, mëso se shpëtimi yt tani varet në duart e Perëndisë. Oh, sill në mendje se je krejtësisht në dorën e Zotit. Ke mëkatuar kundra Tij dhe nëse Ai do që të të mallkojë, atëherë je i mallkuar. Nuk mund t’i rezistosh vullnetit të Tij as nuk mund të përmbysësh qëllimin e Tij. Ke merituar zemërimin e Tij dhe nëse Ai zgjedh të derdhë të gjithë atë zemërim mbi kokën tënde, nuk mund të bësh asgjë për ta kthyer atë. Nëse, në anën tjetër, Ai zgjedh të të shpëtojë, Ai është i aftë të të shpëtojë plotësisht. Por ti je po aq në dorën e Tij sa një insekt nën gishtin tënd. Ai është Perëndia që ti po fyen çdo ditë. A nuk të bën të dridhesh se fati yt i përjetshëm tani varet prej vullnetit të Atij që ti i ke ndezur zemërimin? A nuk i bën kjo gjë gjunjët e tu të piqen bashkë dhe gjakun tënd të ngrijë? Nëse po atëherë gëzohem, meqenëse kjo mund të jetë efekti i parë i tërheqjes së Frymës në shpirtin tënd. Oh, dridhu teksa mendon se Perëndia që ke zemëruar është ai Perëndi prej të Cilit varet shpëtimi ose dënimi yt. Dridhuni dhe “nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast.”
Tani, mendimi ngushëllues është ky—disa nga ju këtë mëngjes janë të ndërgjegjshëm se po vijnë të Krishti. A nuk keni filluar të derdhni lotin e pendimit? A nuk qe dëshmitare kthina jote për përgatitjen lutjeplot për dëgjimin e Fjalës së Perëndisë? Dhe gjatë shërbesës këtë mëngjes, a nuk ka thënë zemra juaj përbrenda jush, “Zot, më shpëto, ose përndryshe do të vdes, sepse nuk mund ta shpëtoj veten”? Dhe a nuk mundni tani të ngriheni prej karriges suaj dhe të këndoni
“Oh, Hir Sovran zemrën time nënshtro;
do doja edhe unë të triumfoj,
një rob i vullnetshëm i Zotit tim,
për të kënduar triumfin e Fjalës së Tij”?
Dhe a nuk ju kam dëgjuar vetë të thoni në zemrën tuaj—”Jezus, Jezus, i gjithë mirëbesimi im është në Ty. E di se asnjë drejtësi e imja nuk mund të më shpëtojë, por veçse Ti. O Krisht—le të dalë si të dalë, e hedh veten te Ty”? Oh vëllezër dhe motra, ju jeni tërhequr prej Atit, sepse nuk do të mund të kishit ardhur po të mos t’ju kishte tërhequr Ai. Mendim i ëmbël! Dhe nëse Ai ju ka tërhequr, a e dini se cili është rrjedhimi i këndshëm? Më lejoni që të përsëris vetëm një tekst dhe ky tekst ju ngushëlloftë—
“Shumë kohë më parë Zoti m`u shfaq duke thënë: “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.”
Po, Vëllezër dhe Motra vajtues, meqenëse ju jeni duke ardhur tani te Krishti, Perëndia ju ka tërhequr. Dhe meqenëse Ai ju ka tërhequr, kjo është një provë se Ai ju ka dashur që prej themelimit të botës. Le të hidhet përpjetë zemra juaj përbrenda jush, ju i përkisni Atij! Emri juaj u shkrua në duart e Shpëtimtarit kur ato u gozhduan në drurin e mallkuar. Emri juaj shndrit në parzmoren e Kryepriftit të madh sot. Dhe ai ishte atje përpara se ylli i mëngjesit të njihte vendin e tij ose planetët t’i binin rreth e përqark orbitave të tyre. Gëzohuni në Zotin, ju që keni ardhur te Krishti dhe klithni nga gëzimi ju të gjithë që jeni tërhequr prej Atit. Sepse kjo është prova juaj—dëshmia juaj solemne—se ju mes njerëzve jeni zgjedhur në zgjedhje të përjetshme dhe se do të ruheni prej fuqisë së Perëndisë, nëpërmjet besimit, për shpëtimin që është gati për t’u zbuluar!