Parathënia e “Blloku i çeqeve i bankës së besimit.”
Nga C. H. SPURGEON
Një premtim prej Zotit mund të krahasohet në mënyrë shumë mësimdhënëse me një çek. I është dhënë besimtarit me pikësynimin për t’i falur diçka të mirë. Nuk është synuar që ai ta lexojë përciptas dhe më pas të ketë mbaruar punë me të. Jo, ai duhet ta trajtojë premtimin si një realitet, ashtu si një njeri shikon një çek. Ai duhet të marrë premtimin dhe ta kundërfirmosë atë me vetë emrin e tij duke e pranuar personalisht si të vërtetë. Ai duhet ta pranojë atë si të vetin. Ai vë vulën se Zoti është i vërtetë dhe i vërtetë në lidhje me këtë fjalë të veçantë premtimi. Ai shkon më tej akoma dhe beson se ka bekimin duke pasur premtimin e sigurt të tij dhe prandaj vë emrin e tij për të vërtetuar marrjen e bekimit.
Mbasi kjo e bërë, ai duhet me besim t’ia paraqesë premtimin Zotit, ashtu si një njeri paraqet një çek në bankë. Ai duhet ta paraqesë si të vetin me lutje, duke pritur të përmbushet. Nëse ka ardhur në bankën e qiellit në datën e duhur,ai do të marrë shumën e premtuar menjëherë. Nëse data është më vonë, ai duhet të presë me durim deri në ardhjen e saj; por ndërkohë ai duhet ta llogarisë premtimin si para, sepse është e sigurt se banka do ta paguajë kur vjen koha e duhur.
Disa dështojnë të vënë kundërfirmën e besimit mbi çekun dhe kështu që nuk marrin asgjë; dhe të tjerë janë të përtuar për ta paraqitur dhe edhe këto nuk marrin asgjë. Kjo nuk është prej fajit të premtimit, por prej fajit të atyre që nuk veprojnë me të në një mënyrë gjykim-shëndoshë dhe të prerë.
Zoti nuk ka dhënë asnjë zotim që nuk do ta mbajë dhe nuk ka ushqyer asnjë shpresë që nuk do ta përmbushë. Për të ndihmuar vëllezërit e mi të besojnë këtë, kam përgatitur këtë volum të vogël. Pamja e premtimeve vetë është mirë për sytë e besimit: aq më shumë që studiojmë fjalët e hirit, aq më shumë hir do të përftojmë prej fjalëve. Shkrimeve gëzimsjellëse i kam shtuar dëshmi të mia, fryt i sprovës dhe i përjetimit. Besoj të gjitha premtimet e Zotit, por shumë prej tyre i kam provuar dhe vërtetuar. Kam parë se ato janë të vërteta sepse janë përmbushur për mua. Kam besim se kjo gjë mund të jetë inkurajuese për të riun; dhe jo pa ngushëllim për më të vjetrit. Përjetimi i një njeriu mund të jetë tepër i dobishëm për një tjetër dhe për këtë arsye njeriu i Zotit shkroi dikur, “Kërkova Zotin dhe Ai më dëgjoi;” dhe përsëri, “Ky njeri i gjorë thërriti dhe Zoti e dëgjoi.”
I fillova këto racione të përditshme kur ndodhesha në tallazin e polemikave. Që atëherë jam hedhur në ujëra të thella që po të mos ishte prej dorës mbështetëse të Zotit do më kishin mbytur. Kam duruar mundime prej shumë fshikullave. Dhembje trupore e mprehtë ndoqi depresionin mendor dhe kjo u shoqërua prej zisë dhe pikëllimit prej humbjes së një njeriu po aq të shtrenjtë sa jeta. Ujërat u rrokullisën vazhdimisht, dallgë mbi dallgë. Nuk e përmend këtë për të vjelur simpati por thjesht që të lë lexuesin të kuptojë se nuk jam marinar që nuk ka rrahur detra. Kam përshkuar ato oqeane që shumë herë nuk janë paqësorë: e njoh rrotullamen e shkulmave dhe vërshimin e erërave. Kurrë nuk ishin premtimet e të Përjetshmit aq të çmuar për mua sa tani. Disa nga ato nuk i pata kuptuar kurrë deri tani; nuk e pata arritur kohën e pjekurisë së tyre sepse vetë nuk isha i pjekur mjaftueshëm për të dalluar domethënien e tyre.
Sa shumë më e mrekullueshme që është Bibla për mua tani se sa ç’ishte ca muaj më parë! Duke iu bindur Zotit dhe duke mbajtur poshtërimin e tij jashtë kampit, nuk kam marrë premtime të reja, por rezultati për mua është njësoj sikur t’i kisha marrë, sepse ato të vjetrat u hapën për mua me përmbajtje më të pasur akoma. Sidomos Fjala e Zotit drejtuar shërbëtorit të Tij Jeremia tingëlloi jashtëzakonisht e ëmbël për veshët e mi. Risku i tij ishte t’i fliste atyre që nuk do ta dëgjonin ose duke e dëgjuar nuk do besonin. Pikëllimi i tij ishte një pikëllim që vjen prej dashurisë së zhgënjyer dhe besnikërisë së vendosur; ai donte ta kthente popullin e tij prej gabimeve të tyre por vetë nuk donte ta braktiste udhën e Zotit. Për të kishte fjalë fuqie të thellë mbështetëse që e ruajtën mendjen e tij prej së lëshuari atje ku natyra e pandihmuar patjetër që do ishte zhytur. Këto dhe fjali të tilla të arta hiri i kam dashur më shumë se ushqimi im i nevojshëm dhe me to kam pasuruar këto faqe. Oh, sikur të mund të ngushëlloj disa prej shërbëtorëve të Mjeshtrit tim !Kam shkruar prej vetë zemrës sime me qëllimin për të ngushëlluar zemrat e tyre. Do doja t’i thoja në sprovat e tyre—Vëllezër, Zoti është i mirë. Ai nuk do t’ju braktisë: Ai do t’ju mbajë. Ka një premtim të përgatitur për urgjencat e juaja të tanishme dhe nëse do besoni dhe do e paraqisni për mbrojtjen tuaj në fronin e mëshirës nëpërmjet Jezu Krishtit, do ta shikoni dorën e Zotit të shtrirë për t’ju ndihmuar.
Çdo gjë tjetër do të dështojë, por fjala e Tij nuk do të dështojë kurrë. Ai ka qenë me mua kaq besnik në raste të panumërta sa duhet që t’ju jap zemër për t’i mirëbesuar Atij. Do t’i isha mosmirënjohës Zotit dhe i pashpirt me ju sikur mos të bëja ashtu.
Fryma e Shenjtë, Ngushëlluesi, frymëzoftë njerëzit e Zotit me besim të freskët! E di se pa fuqinë e Tij hyjnore,gjithçka që mund të them nuk do të hyjë në punë, por, nën ndikimin e Tij gjallërues, madje edhe dëshmia më e përulët do të forcojë gjunjët e dobët dhe duart e pafuqishme. Zoti lavdërohet kur shërbëtorët e Tij i besojnë krejtësisht. Kurrë nuk mund të jemi fëmijë më shumë se ç’duhet me Atin tonë qiellor. Fëmijët tanë nuk bëjnë pyetje në lidhje me vullnetin ose fuqinë tonë, por mbasi kanë marrë një premtim prej atit të tyre,ato gëzohen në perspektivën e përmbushjes së tij, duke mos dyshuar kurrë se është po aq i sigurt sa dielli. Shumë lexues, që mund të mos shoh kurrë, zbulofshin detyrën dhe ëndjen e një mirëbesimi të tillë fëmijëror në Zotin ndërsa janë duke lexuar këtë pak që kam përgatitur për çdo ditë në vit. Për vite me radhë mijëra njerëz të Zotit kanë lexuar Devocionin tim, Mëngjes dhe Mbrëmje, dhe shumë prej tyre kanë qenë aq të mirë sa të më shkruajnë dhe të më bëjnë të njohur përfitimin e një leximi të tillë të vëmendshëm. Shpresoj se ky libër i vogël nuk do të ndërhyjë me këtë volum. Këto racione të përditshme janë grumbulluar prej një sfere më të larmishme subjektesh dhe janë akoma më shumë të dobishme ngaqë merren me doktrinë, përjetim, praktikë dhe çdo gjë tjetër. Ky është vetëm një shijim i premtimit dhe nuk duhet që të ndërhyjë me vakte më të bollshme: jo, përkundrazi, shpresoj se do të nxisë një dëshirë për to.
Zoti ynë Jezus pranoftë këtë shërbim t’imin për qengjat dhe delet e Tij, prej Shërbëtorit të tij të pa meritë!
C. H. SPURGEON