Përkujtimi i Krishtit
Predikimi nr. 2
Nga C. H. SPURGEON
Dita e Zotit, 7 janar 1855
“Bëni këtë në përkujtimin Tim.” {#1 Korintasve 11:24}
Duket pra se të krishterët mund ta harrojnë Krishtin. Teksti nënkupton mundësinë e harresës së Atij që mirënjohja dhe përzemërsia duhet t’i shtrëngojë ta kujtojnë. Nuk do të kishte nevojë për këtë thirrje sikur të mos ekzistonte një hamendje e frikshme se kujtesa jonë mund të dalë tradhtare, sipërfaqësore në karakterin e saj ose e ndryshueshme në natyrën e saj. Pastaj nuk është thjesht një hamendje—për fat të keq është vërtetuar shumë mirë në përjetimin tonë, jo si një mundësi, por si një fakt i vajtueshëm. Në dukje paraqitet si një krim tepër i rëndë për t’u vënë në derën e besimtarëve.
Ngjan pothuajse e pamundur se ata që janë shpenguar prej gjakut të Qengjit të therur të mund të harrojnë ndonjë herë Shpenguesin e tyre—se ata që janë dashur me një dashuri të përjetshme prej Birit të përjetshëm të Perëndisë, të mund ta harrojnë ndonjë herë atë Bir. Por edhe pse tronditëse për veshin, për fat të keq është tepër e dukshme për syrin për të na lejuar ta mohojmë si fakt. Të harrosh Atë që nuk na harroi kurrë? Të harrosh Atë që derdhi gjakun e Tij për mëkatet tona? Të harrosh Atë që na deshi deri në vdekje? Vallë a mund të jetë e mundur? Po, është jo vetëm e mundur, por ndërgjegjja rrëfen se tepër trishtueshëm është faj i ne të gjithëve—që ne mund të kujtojmë gjithçka përveç Krishtit.
Atë që ne duhet ta bëjmë monarkun e zemrave tona është vetë ajo gjë që ne jemi më shumë të prirur të harrojmë. Atje ku dikush do të mendonte se kujtesa do të qëndronte dhe hutimi do të ishte një furacak i panjohur—atje është vetë vendi që përdhoset prej këmbës së harresës—vendi ku kujtesa rrallë shikon. I bëj thirrje ndërgjegjes së çdo të krishteri këtu—a mund të mohoni vërtetësinë e asaj ç’farë shqiptoj? A nuk ju duket se e harroni Jezusin? Ndonjë krijesë rrëmben tutje zemrën tuaj dhe nuk ju bie ndër mend Ai mbi të Cilin dashuria juaj duhet vënë. Ndonjë punë e kësaj bote përpin vëmendjen tuaj ndërkohë që duhet ta keni syrin tuaj të fiksuar ngultas te Kryqi. Është e përditshmja e pareshtur e botës, e botës, e botës—poterja e vazhdueshme e saj, që shkëput shpirtin prej Krishtit. Oh, miqtë e mi, a nuk është trishtueshëm shumë e vërtetë se mund të sjellim ndër mend çdo gjë përveç Krishtit dhe se nuk mund të harrojmë asgjë aq lehtë sa Atë të Cilin duhet ta kujtojmë? Ndërsa kujtesa ruan një barishte të helmatisur, e bën Trëndafilin e Sharonit të vyshket.
Shkaku i kësaj është shumë i qartë—qëndron në një ose dy fakte. Ne e harrojmë Krishtin ngaqë megjithëse ashtu si jemi njerëz të ripërtëritur—akoma korruptimi dhe vdekja mbeten madje edhe brenda nesh. Ne e harrojmë Atë, sepse mbajmë me vete Adamin e vjetër të mëkatit dhe vdekjes. Sikur të ishim krijesa të rilindura safi, nuk do ta harronim kurrë emrin e Atij që duam. Sikur të ishim krejtësisht qenie të ripërtëritura, do të uleshim dhe do të përsiasnim mbi Të, mbi çfarë Shpëtimtari ynë bëri dhe vuajti, mbi gjithçka që Ai lavdishëm ka premtuar të kryejë. Dhe kurrë ndjenjat tona të paqëndrueshme nuk do të arrakateshin, por do të qëndronin të përqendruara, të mbërthyera, të fiksuara përjetësisht te një gjë—do të soditnim vazhdimisht vdekjen dhe vuajtjet e Zotit tonë.
Por sa keq, ne kemi një krimb në zemër, një vendbanim murtaje, një morg përbrenda. Epshe, imagjinata të poshtra dhe pasione të liga të forta ashtu si puse me ujë të helmuar lëshojnë jashtë rrjedha papastërtie. Kam një zemër, Perëndia e di se do të doja ta shkulja prej trupit tim dhe ta flakja në një distancë të paarritshme. Kam një shpirt që është një shpellë me zogj të papastër, një strofull krijesash të neveritshme ku dragonjtë dhe kukuvajkat mblidhen së bashku, ku kafshët e liga banojnë—një zemër tepër e poshtër për të bërë një krahasim—”zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.”
Kjo është arsyeja pse harroj Krishtin. Pastaj ky nuk është i vetmi shkak. Dyshoj se qëndron edhe diku tjetër gjithashtu. Ne e harrojmë Krishtin, sepse ka kaq shumë gjëra përreth nesh për të na tërhequr vëmendjen, “Por,” ju po thoni, “nuk duhet të jetë kështu, sepse edhe pse ato janë përreth nesh, nuk janë asgjë në krahasim me Jezu Krishtin—edhe pse janë në afërsi të frikshme me zemrat tona, çfarë janë ato vallë të krahasuara me Krishtin?” Por a e dini, miq të dashur se afërsia e një objekti ka një efekt shumë të madh mbi fuqinë e tij? Dielli është shumë, shumë herë më i madh se hëna, por hëna ka një ndikim më të madh mbi rrymat e oqeanit se sa dielli, thjesht ngaqë është më afër dhe ka një fuqi më të madhe tërheqjeje.
Po ashtu, shoh se një krimb i vogël zvarranik i tokës ka më shumë efekt mbi shpirtin tim se sa Krishti i lavdishëm në Qiell. Një grusht me flori, një pufkë fame, një brohori duartrokitjesh, një biznes i mbarë, shtëpia ime, vatra ime do të më prekë më shumë se të gjitha lavditë e botës së lartme. Po, më shumë se vetë vizioni i bekuar—thjesht ngaqë toka është afër dhe Qielli është shumë larg. Ditë e bekuar ajo kur do të ngrihem i mbajtur mbi krahët e engjëjve për të banuar përherë afër Zotit tim—për t’u rrezitur nën ndriçimin e buzëqeshjes së Tij dhe për t’u kredhur në rrëzëllimin e pashoq të pamjes së Tij të dashur.
Ja pra shkaku i harresës. Le të skuqemi prej kësaj. Le të trishtohemi se e lëmë pas dore Zotin tonë kaq shumë. Dhe tani le të ndjekim me vëmendje Fjalën e Tij, “Bëni këtë në përkujtimin Tim,” duke shpresuar se tingujt e saj solemn të mund të na çmagjepsin prej demonit të mirënjohjes së ulët.
Së pari, do të flasim në lidhje me Objektin e bekuar të kujtesës. Së dyti, mbi avantazhet për t’u nxjerrë prej së kujtuarit të këtij Personi. Së treti, mbi ndihmën e hirshme për kujtesën tonë —”Bëni këtë në përkujtimin Tim.” Dhe së katërti, urdhëresën e butë, “Bëni këtë në përkujtimin Tim.” Fryma e Shenjtë haptë buzët e mia dhe zemrat tuaja që të mund të marrim bekime.
I. Së pari, do të flasim për OBJEKTIN E LAVDISHËM DHE TË ÇMUAR TE KUJTESËS—”Bëni këtë në përkujtimin Tim.” Të krishterët kanë shumë thesare për të kyçur në sirtarët e kujtesës. Ata duhet të kujtojnë zgjedhjen e tyre —”Të zgjedhur nga Perëndia përpara themelimit të botës.” Ata duhet të sjellin ndërmend mirë prejardhjen e tyre, se u nxorën jashtë prej baltës së moçalit dhe gropës së shkatërrimit. Ata duhet të mbajnë mend thirrjen e tyre të efektshme, sepse u thirrën prej Perëndisë dhe u shpëtuan prej fuqisë së Frymës së Shenjtë. Ata duhet të kujtojnë çlirimet e tyre të posaçme —gjithçka që është bërë për ta dhe të gjitha mëshirat e falura.
Por është Dikë që ata duhet të ruajnë në kujtesë në shpirtrat e tyre me erëzat më të shtrenjta—Dikë që, mbi çdo dhuratë tjetër të Perëndisë, meriton të mbahet mend përherë. Thashë Dikë, sepse nuk nënkuptoj një akt, nuk nënkuptoj një vepër. Por është një Person portretin e të cilit do të doja ta vija në një kornizë ari dhe ta varja në sallonin ceremonial të shpirtit. Do të doja që të jeni studentë të zellshëm të të gjitha veprave të Mesias fitimtar. Do të doja që të njihni jetën e të Shumëdashurit tonë. Por oh, mos harroni Personin e Tij. Sepse teksti thotë, “Bëni këtë në përkujtimin Tim.” Është Personi i lavdishëm i Krishtit që duhet të jetë objekti i kujtimit tonë. Është imazhi i Tij që duhet ruajtur i shenjtëruar në çdo tempull të Frymës së Shenjtë.
Por disa do të thonin, “Si mund ta kujtojmë Personin e Krishtit ndërkohë që nuk e kemi parë kurrë? Nuk mund të themi dot se cila ishte forma e veçantë e fytyrës së Tij. Ne besojmë se pamja e Tij ishte më e hijshme se e çdo njeriu tjetër—edhe pse prej pikëllimit dhe vuajtjes më e shfytyruar—por përderisa nuk e kemi parë, nuk mund ta kujtojmë dot. Ne nuk pamë kurrë këmbët e Tij teksa bënin rrugëtimet e mëshirës së Tij. Ne nuk i pamë kurrë duart e Tij teksa i zgjaste plot me dashamirësi të dhembshur. Nuk mund të kujtojmë intonacionin e mrekullueshëm të të folurës së Tij, atëherë kur me më shumë gojëtari se ajo e serafinëve, Ai mahniti njerëzinë dhe e bëri ta dëgjojnë me vëmendje. Nuk mund ta përfytyrojmë buzëqeshjen e ëmbël që u var ndonjëherë mbi buzët e Tij as atë vrenjtje të tmerrshme me të cilën shpërndau anatema kundra Farisenjve. Ne nuk mund ta kujtojmë Atë në vuajtjet dhe agonitë e Tij, sepse nuk e pamë kurrë.”
Epo mirë të dashur, ma merr mendja se është e vërtetë se nuk mund të mbani mend pamjen e dukshme, sepse nuk kishit lindur akoma. Por a nuk e dini se madje edhe Apostulli tha se edhe pse e kishte njohur Krishtin sipas mishit, prapëseprapë, që këtej e tutje nuk do ta njihte më Krishtin sipas mishit. Pamja e natyrshme, raca, prejardhja, varfëria, veshja e përulur—këto janë hiç gjë në krahasim me vlerësimin e Apostullit për Zotin e Tij të përlëvduar. Dhe kështu pra, edhe pse ju nuk e njihni Atë sipas mishit, mund ta njihni sipas frymës. Në këtë mënyrë mund të kujtoni Jezusin tani po aq shumë sa Pjetri, ose Pali, ose Gjoni, ose Jakobi, ose sa secili prej atyre të favorizuarve që më përpara shkelën në gjurmët e Tij, ecën krah për krah me Të ose shtrinë kokat e tyre mbi kraharorin e Tij. Kujtesa asgjëson largesën dhe kapërcen mbi kohën dhe mund të vështrojë Zotin edhe pse Ai është i lartësuar në lavdi.
Ah, le të shpenzojmë pesë minuta duke kujtuar Jezusin. Le ta kujtojmë Atë në pagëzimin e Tij,teksa po zbriste në ujërat e Jordanit, një zë u dëgjua, duke thënë, “Ky është Biri Im i dashur, në të Cilin jam kënaqur.” Shikoni Atë tek del prej ujërave duke i kulluar uji nga trupi. Me siguri që uji duhet të jetë skuqur duke ditur se mbajti Perëndinë e tij. Për një çast, Ai ra në gjumë përbrenda valëve të ujërave—për të përkushtuar varrin e Pagëzimit—në të cilin ata që kanë vdekur me Krishtin janë varrosur me Të.
Le ta kujtojmë Atë në shkretëtirë, ku shkoi menjëherë pas pagëzimit të Tij. Oh, shpesh kam menduar për atë pamje në shkretëtirë, kur Krishti, i lodhur dhe i dërrmuar, u ul, ndoshta nën rrënjët me nyja të ndonjë peme të moçme!
Dyzet ditë pati agjëruar. Ishte i uritur. Atëherë në dobësinë e Tij të skajshme ja ku erdhi fryma e ligë. Ndoshta fryma e ligë e pati mërtisur racën e vet demoniake në formën e ndonjë pelegrini të moshuar dhe duke marrë një gurë, tha, “Pelegrin i rraskapitur nga udhëtimi, nëse je Biri i Perëndisë, urdhëro që ky gur të bëhet bukë.” Më duket sikur po e shikoj, me nënqeshjen e tij dinake dhe syllitjen e tij keqdashëse, teksa mbajti gurin dhe tha “Nëse”—nëse blasfemuese—”Nëse je Biri i Perëndisë, urdhëro që ky gur të bëhet një vakt për mua dhe ty, sepse që të dy jemi të uritur dhe do të ishte një vepër mëshire. Ti mund ta bësh këtë lehtësisht, fol dhe do të jetë si buka e Qiellit. Do të ushqehemi me të; atëherë ti dhe unë do të jemi miq përherë.”
Por Jezusi tha—dhe o sa ëmbël që e tha—”Njeriu nuk rron vetëm me bukë.” Oh, sa mrekullueshëm që Krishti e luftoi tunduesin! Nuk ka patur kurrë një betejë të ngjashme me këtë. Ishte një duel ballë për ballë—një dyluftim—kur luani i madh i ferrit dhe Luani i fuqishëm i fisit të Judës luftuan kundër njëri-tjetrit. Pamje madhështore! Engjëjt qëndruan rreth e përqark për të kundruar spektaklin, po ashtu si zinin vend njerëzit në të shkuarën për të parë turneun e luftëtarëve të shquar. Atje satanai mblodhi të gjithë forcën e tij. Këtu Apoloni përqendroi të gjithë pushtetin e tij satanik që në këtë dyluftim vigan të mund të përmbyste Farën e gruas. Por Jezusi ishte më i fortë se ai. Gjatë përleshjes Ai i dha atij një goditje vdekjeprurëse dhe doli më shumë se ngadhënjimtar. Qengj i Perëndisë! Do të kujtoj rropatjet e Tua në shkretëtirë kur radhës tjetër do të ndeshem me satanain. Kur radhës tjetër do të kem një konflikt me djallin vrumbullues do të shikoj te Ai që një herë e përgjithmonë doli fitimtar dhe e dërrmoi kokën e dragoit me goditjet e Tij të fuqishme!
Më tej, ju përgjërohem ta kujtoni Atë në të gjitha tundimet e Tij të përditshme dhe sprovat e vazhdueshme, nëpër të cilat kaloi në atë betejë të Tijën të përhershme. Oh, çfarë tragjedi e madhe që ishte vdekja e Krishtit! Dhe jeta e Tij, gjithashtu! E paralajmëruar me një këngë, u mbyll me një piskamë, “U krye.” Nisi në një grazhd dhe përfundoi mbi një Kryq—por oh, intervali i trishtueshëm mes tyre! Oh, tablotë e zeza të përndjekjes kur Miqtë e Tij e patën neveri. Kur armiqtë e Tij i rrinin vrenjtur teksa përshkonte rrugët. Kur Ai dëgjoi vërshëllimin e përgojimit dhe u kafshua prej dhëmbit të pabesë të smirës. Kur shpifja tha se kishte një demon dhe se ishte i çmendur—se ishte një pijanec dhe një qejfli vere—dhe kur shpirti i Tij i drejtë u pezmatua me rrugët e të ligut. Oh, Bir i Perëndisë, unë duhet të të kujtoj Ty. Nuk mund të mos të të kujtoj, kur mendoj për ato vite mundi dhe trazire që Ti me të vërtetë përjetove për hirin tim.
Po a e dini temën time të zgjedhur—vendin ku gjithmonë mund të kujtoj më mirë Krishtin? Është një kopsht me hije plot me ullinj. Oh ai vend! Do të doja që të kisha pasur gojëtari në mënyrë që t’ju çoja atje. Oh, sikur Fryma të na merrte dhe të na vendoste poshtë shumë pranë maleve të Jeruzalemit, do të thosha, shikoni, atje rrjedh përroi i Isdronit, që vetë Mbreti e kaloi. Dhe atje shihen pemët e ullirit. Ndoshta në këmbën e atij ulliri u shtrinë të tre dishepujt kur i zuri gjumi.
Dhe atje, ah, atje, shikoj pika gjaku! Qëndro këtu për një çast shpirti im. Ato pika gjaku—a i sheh? Vëreji ato. Ato nuk janë gjaku i plagëve—ato janë gjaku i një Njeriu me një trup në atë kohë ende pa plagë. O shpirti im, përfytyroje Atë kur u gjunjëzua në agoni dhe djersë—djersë, sepse luftoi me Perëndinë—djersë, sepse Ai ishte në agoni para Atit të Tij. “Ati im,në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë.” O Getsemane! Hijet e tua janë thellësisht solemne për shpirtin tim. Por ah, ato pika gjaku! Me siguri që është kulmi i lartësisë së mjerimit. Është e fundit prej veprave të fuqishme të këtij flijimi të mahnitshëm. A mund të shkojë dashuria më thellë se kaq? A mund të përkulet në vepra më të mëdha mëshire? Oh, sikur të kisha gojëtari do t’i jepja një gjuhë çdo pike gjaku që është aty—që zemrat tuaja të mund të ngrihen në rebelim kundra plogështisë dhe ftohtësisë tuaj dhe të ngrenë zërin me kujtim të zellshëm të flaktë për Jezusin. Dhe tani, lamtumirë, Getsemani.
Por do t’ju shpie diku tjetër ku mund të vëreni akoma “Njeriun e Dhembjeve.” Do t’ju drejtoj për te pallati i Pilatit që ta shikoni Atë duke duruar talljet e ushtarëve mizorë—goditjet e dorezave të hekurta, të rënat e grushteve të shtrënguar. Turpi, pështyrja, shkulja e flokëve—goditjet barbare. Oh, nuk mund dot vallë ta përfytyroni Mbretin e Martirëve të zhveshur prej rrobave të Tij—i lënë jashtë para vështrimit të njerëzve të djallëzuar? A nuk e shikoni kurorën mbi tëmthat e Tij, çdo gjemb si bisturi për të çarë kokën e Tij? A nuk po vështroni ngultas shpatullat e Tij të çjerra dhe kockat e bardha që duken jashtë prej mishit të gjakosur? Oh, Bir i Njeriut! Të shikoj të fshikulluar dhe të rrahur me bastunë dhe kamxhikë! Si mund të resht të të kujtoj Ty? Kujtesa ime do të ishte më tradhtare se Pilati, sikur të mos ketë thërritur kurrë ndonjëherë, Ecce Homo—”Ja Njeriu.”
Tani, do ta mbaroj shfaqjen e tmerrit përmes një pamjeje të Kalvarit. Mendoni për duart e tejshpuara dhe ijën e gjakosur. Mendoni për diellin zhuritës dhe më pas errësirën e plotë. Kujtoni ethet e zjarrta dhe etjen e frikshme. Mendoni për piskamën e vdekjes, “U krye!” dhe për grahmat që ishin preludi i saj. Ky është Objekti i kujtesës. Le të mos e harrojmë kurrë Krishtin. Ju përgjërohem, për hir të dashurisë së Jezusit, që Ai të ketë vendin kryesor në kujtesën tonë. Le të mos lëshohet Perla Me Çmim të Madh prej dorës suaj të pakujdesshme në oqeanin e errët të harresës.
Sidoqoftë, nuk mund të mos them një gjë përpara se ta lë këtë pikë—dhe kjo është se ka disa nga ju që shumë mirë mund të marrin me vete atë që kam thënë, sepse e keni lexuar shpesh dhe e keni dëgjuar më parë. Por prapëseprapë, frymërisht ju nuk mund të kujtoni asgjë për Krishtin, sepse nuk ju është shfaqur kurrë—dhe atë çfarë kurrë nuk e kemi njohur—nuk mund ta kujtojmë dot. Falënderoj Perëndinë, nuk po flas për ju të gjithë, sepse në këtë vend ka një mbetje të perëndishme sipas zgjedhjes së hirit dhe këtyre i kthehem. Ndoshta mund t’ju tregoj për ndonjë ahur të vjetër, gardh me driza ose kasolle. Ose nëse keni jetuar në Londër, për ndonjë papafingo, ose ndonjë rrugicë ose rrugë të errët, ku për herë të parë takuat Krishtin. Ose ndonjë kishëz ku keni përfunduar dhe mund të thoni, “Falë Perëndisë, mund të kujtoj karrigen ku për herë të parë Ai më takoi dhe i foli shpirtit tim me pëshpërima dashurie dhe më tha se më kishte blerë”—
“Ji i vëmendshëm për vendin
ku takove Jezusin!”
Po dhe do të doja të ndërtoj një tempull mbi atë vend dhe të ngre një monument—ku Jehovah-Jezus i foli për herë të parë shpirtit tim dhe m’u shfaq. Por Ai ju është zbuluar më shumë se një herë—apo jo? Dhe ju mund të kujtoni plot vende ku Zoti ju është shfaqur shumë kohë më parë, duke ju thënë, “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme.” Nëse të gjithë nuk mund t’i mbani mend gjëra të tilla, ka disa prej jush që munden. Dhe jam i sigurtë se ata do të më kuptojnë kur them, ejani dhe bëjeni këtë për të kujtuar Krishtin—për të kujtuar të gjitha vizitat e Tij të dashura—fjalët e Tij të ëmbla përkëdhelëse—buzëqeshjet e Tij që ju kanë bërë për vete—gjithçka që Ai i ka thënë dhe i ka komunikuar shpirtrave tuaj. Kujtoni gjithë këto gjëra sonte, nëse është e mundur për kujtesën të grumbullojë agregatin e fuqishëm të hirit. “Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.”
II. Mbasi kemi folur mbi Objektin e bekuar të kujtesës sonë, së dyti, do të flasim pak mbi TË MIRAT PËR T’U NXJERRË PREJ NJE KUJTIMI TË DASHUR TË KRISHTIT. Dashuria nuk thotë kurrë, “Cui bono?” Dashuria kurrë nuk pyet se çfarë përfitimi do të nxjerrë prej dashurisë. Dashuria prej vetë natyrës së saj është një gjë painteres. Ajo do për hir të krijesës që do dhe për asgjë tjetër. I krishteri nuk ka nevojë për ndonjë argument për ta bërë atë ta dojë Krishtin—po ashtu si një nëne nuk i nevojitet ndonjë argument për ta bërë ta dojë fëmijën e saj. Ajo e bën, sepse është natyra e saj të bëjë ashtu. Krijesa e rilindur duhet ta dojë Krishtin—nuk mund të mos ta dojë. Oh, kush mund t’i rezistojë hireve të pakrahasueshme të Jezu Krishtit?—më i hijshmi mes dhjetë mijë të hijshmëve, më i dashuri mes dhjetë mijë të dashurve. Kush mund të refuzojë të adhurojë princin e përsosjes, modelin e bukurisë, Birin e madhështor të Perëndisë? Por megjithatë mund të jetë e dobishme për ne të vëzhgojmë avantazhet e të kujtuarit të Krishtit, sepse ato nuk janë as pak as të vogla.
Dhe së pari, kujtimi i Jezusit do të ketë prirjen t’ju japë shpresë kur gjendeni nën barrën e mëkateve tuaj. Le të vërejmë disa karaktere këtu, sonte. Ja ku po vjen një krijesë e gjorë. Shikojeni! Ai e ka lënë pas dore veten këtë muajin e fundit. Duket sikur me zor se ka ngrënë edhe bukën e tij të përditshme. Po çfarë të ka ngjarë? “Oh,” thotë ai, “kam qenë nën një ndijim faji. Kam qenë duke vajtuar pa pushim, sepse kam frikë se nuk mund të falem kurrë—më përpara mendoja se isha i mirë, por jam duke lexuar Biblën dhe gjej se zemra ime “gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme.” Jam përpjekur të përmirësohem, mirëpo aq më shumë përpiqem, më thellë akoma zhytem në batak. Me siguri që nuk ka shpresë për mua. Ndjej se nuk meritoj asnjë mëshirë—më duket se Perëndia duhet të më shkatërrojë, sepse Ai ka deklaruar, “Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.” Dhe duhet të vdes, duhet të mallkohem, sepse e di se kam thyer Ligjin e Perëndisë.” Si do ta ngushëlloni një njeri të tillë ? Çfarë fjalë të buta do të shqiptonit për t’i dhënë paqe? Unë e di! Do t’i thosha të kujtojë Krishtin. Do t’i thosha se është Një që pagoi borxhin shumë të madh të mjerimit. Po, do të të them ty pijanec, ty sharës—çfarë do që ke qenë—do të të them se është Një që për ty ka bërë një shlyerje të plotë. Nëse veçse beson te Ai, je i sigurt përherë. Kujto Atë, ti krijesë e gjorë, e vdekshme, e pashpresë dhe do të bëhesh të këndosh me gëzim dhe hare. Pa shikoni, ky njeri beson dhe me entuziazëm klith, “Oh, ejani dhe dëgjoni ju të gjithë që i trembeni Perëndisë dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.”—
“I thoni mëkatarëve, i thoni,
jashtë jam, jashtë prej ferrit gjendem.”
Alelujah! Perëndia ka fshirë mëkatet e mia si një re e dendur! Kjo është një e mirë për t’u nxjerrë prej të kujtuarit të Krishtit. Na jep shpresë nën një ndijim mëkati dhe na thotë se ka akoma mëshirë.
Tani më duhet të flas për një karakter tjetër. Dhe çfarë thotë ai? “Nuk mund të rezistoj dot më gjatë—kam qenë përndjekur dhe keqtrajtuar ngaqë dua Krishtin. Nga të tjerët jam tallur dhe përqeshur dhe përçmuar—përpiqem ta duroj, por me të vërtetë që nuk mundem. Njeriu duhet të tregohet njeri—vetëm balta duron ta shkelin. Durimi më ka shteruar krejtësisht. Jam në një pozicion kaq të veçantë sa nuk ia vlen të këshillohem për të pasur durim, sepse vetëm durimin nuk mund ta kem. Armiqtë e mi po më përgojojnë dhe nuk di ç’të bëj.”
Çfarë do t’i themi këtij njeriu të gjorë? Si do t’i japim vallë durim? Çfarë do t’i predikojmë? E keni dëgjuar se çfarë ka për të thënë për veten e tij. Si do ta ngushëllojmë atë nën këtë sprovë të madhe? Sikur të vuanim njësoj, çfarë do të donim që ndonjë mik të na thoshte? A do t’i themi se të tjerë kanë kaluar po aq shumë sa ai? Ai do të thoshte, “Ngushëllues të kotë jeni ju të gjithë!” Jo, do t’i them atij, Vëlla, ti je i përndjekur, por kujto fjalët e Jezus Krishtit, se si na foli dhe tha, “Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell;në të njëjtën mënyrë, pra etërit e tyre i trajtonin profetët.” Vëllai im! Mendo për Të, që kur vdiq, u lut për vrasësit e Tij dhe tha, “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” Gjithçka që ke për të mbajtur nuk është asgjë në krahasim me vuajtjet e Tij të jashtëzakonshme. Merr kurajë—përballoje si një burrë—kurrë mos u dorëzo. Mos lër që të të soset durimi. Merre kryqin tënd përditë dhe ndiq Krishtin. Le të jetë Ai motoja jote—vëre para syve të tu. Dhe tani, duke marrë këtë në zemër, dëgjoni se çfarë do të thotë ky njeri. Ai ju thotë menjëherë—”Përshëndetje o përndjekje! Mirëserdhe o turp! Poshtërimi për Jezusin do të jetë nderi im dhe përçmimi do të jetë lavdia ime më e lartë—
“Tani, nga dashuria emrin e Tij gëzoj
dhe lavdinë time në kryq e gozhdoj
quaj humbje çfarë ishte fitim
dhe përçmoj tërë turpin tim.”
E shikoni pra se ka një tjetër efekt prej të kujtuarit të Krishtit. Ka prirjen të na japë durim nën përndjekje. Është një brez për të ngjeshur ijët e mendjes kështu që besimi ynë të qëndrojë deri në fund.
Miq të shtrenjtë, do t’ju merrja shumë kohë sikur të vazhdoja me të mirat e ndryshme që nxjerrim nga kujtimi i Krishtit. Kështu që pikërisht do të flas shpejt vetëm për një ose dy bekime për t’u marrë. Do të na japë fuqi në tundim. Besoj se për çdo njeri ka periudha tundimi të tmerrshëm. Nuk ka pasur kurrë ndonjë anije që ekzistoi mbi detin e thellë pa përballuar ndonjëherë ndonjë stuhi. Ja ku është, barka e gjorë, duke u lëkundur sa andej këtej mbi dallgët e çmendura. Shikoni se si e hedhin atë nga dallga në dallgë, duke e flakur mes detit e qiellit. Erërat qeshin duke u tallur me të. Oqeani i vjetër e merr anijen në gishtat e tij çurgues dhe e shkund sa andej këtej. Shikoni se si marinarët klithin të frikësuar!
A e dini si të ftohni gjakun dhe gjithçka të jetë e qetë? Po, një fjalë e fuqishme do ta bëjë këtë. Lëreni Jezusin të vijë. Zemra e gjorë le të kujtojë Jezusin dhe më pas anija do të lundrojë shtruar, sepse Krishti ka timonin. Erërat nuk do të fryjnë më, sepse Krishti do t’i urdhërojë ta mbyllin gojën e tyre të fuqishme dhe të mos bezdisin më kurrë fëmijën e Tij. Nuk ka asgjë që mund t’ju japë forcë nën tundim dhe t’ju ndihmojë të përballoni stuhinë ashtu si emri i Jezu Krishtit, Biri i Perëndisë i mishëruar.
Pastaj, përsëri, çfarë lehtësimi që do t’ju japë kur dergjeni të sëmurë në shtrat—emri i Krishtit! Do t’ju ndihmojë të jeni të duruar ndaj atyre që kujdesen për ju dhe të përballoni vuajtjet që keni për të mbajtur. Po, ashtu do të jetë me ju, se do të keni më shpresë me sëmundje sesa me shëndet dhe do të gjeni një ëmbëlsi të bekuar mes hidhësisë së vrerit. Në vend që të ndjeni shijen e uthullës në gojën tuaj përgjatë mundimit tuaj, do të gjeni ëmbëlsinë e mjaltit në mes të të gjithë sprovës dhe mundimit që Perëndia do të sjellë mbi ju—”Ai natën të jep këngë gëzimi.”
Por pikërisht për ta mbyllur në lidhje me avantazhet e të kujtuarit të Krishtit do të thosha edhe këtë—a e dini se ku do të keni të mirën më të madhe? A e dini vendin ku veçanërisht do të gëzoheni se keni menduar për Të? Do t’ju shpie atje. Shsht! Qetësi! Jeni duke shkuar lart sipër në dhoma të vetmuara. Perdet janë të ulura. Dikush qëndron atje duke qarë. Fëmijët janë përreth shtratit dhe ka miq aty. A e shikoni atë njeri të shtrirë aty? Ai është vetja jote—shiko se si sytë e tij janë sytë e tu—duart e tij janë duart e tua. Ai është vetja jote—shpejt do të jesh aty o Njeri! Ai është vetja jote—a e shikon?
Është një tablo e vetes tënde—ata janë sytë e tu që shpejt do të mbyllen në vdekje—janë duart e tua që do të mbesin të ngrira dhe të palëvizshme—buzët e tua që do të jenë të thara dhe të përzhitura, mes të cilave ata do të hedhin pika uji. Ato janë fjalët e tua që ngrijnë në ajër dhe bien kaq ngadalë prej buzëve të tua shpirtdhënëse. Pyes veten a do të mundesh ta kujtosh Krishtin atje? Nëse jo, do të bëj tablonë tënde. Shikoni atë njeri, pikërisht mu në shtrat—a e shikoni se si i kanë dalë kokërdhokët? Miqtë e tij janë rreth e përqark, e pyesin se çfarë sheh. Ai e shtyp emocionin. I thotë se nuk shikon asgjë. Ata e dinë se ka diçka para syve të tij. Ai fillon përsëri. Perëndi i mirë! Çfarë është ajo që po shoh—që më duket se shoh? Çfarë është? Ah, një psherëtimë! Shpirti iku.
Trupi është atje. Po çfarë pa vallë? Ai pa një fron gjykimi të përflakur. Pa Perëndinë mbi të me skeptrin e Tij. Pa libra të hapur. Pa Fronin e Perëndisë dhe pa një korrier me një shpatë të vringëlluar në ajër për ta goditur. Njeri! Ai je ti. Atje do të jesh së shpejti. Ajo tablo është vetë portreti yt. Të kam bërë një foto të jetës tënde. Shikoje. Edhe disa vite dhe atje do të jesh—po, edhe ca ditë.
Por nëse mund të kujtosh Krishtin, a të të them se çfarë do të bësh? Oh, do të buzëqeshësh mes trazirës. Më lejoni të bëj tablonë e një njeriu të tillë. I vënë jastëkë mbrapa kurrizit. Ai ulet mbi shtrat dhe merr dorën e të shtrenjtës së tij dhe thotë, “Lamtumirë! Mos qaj për mua! Perëndia i mirë do të fshijë të gjitha lotët prej syve të mi.” Atyre që e rrethojnë i drejtohet, “Përgatituni të takoni Zotin tuaj dhe më ndiqni për në tokën e lumnisë.” Tani ai e ka vënë në rregull shtëpinë e tij. U krye. Shikojeni, ashtu si i miri Jakob i thyer në moshë, duke u mbështetur mbi bastun, gati për të vdekur. Shikoni se si sytë e tij lëshojnë shkëndija! Përplas duart dhe ato mblidhen për të dëgjuar çfarë ka për të thënë. Ai pëshpërit, “Fitore!” Dhe duke mbledhur pak më shumë forcë, thërret, “Fitore!” Dhe së fundi, me një gulçimë të fundit, “Fitore, përmes Atij që na deshi!” Dhe vdes. Kjo është një prej të mirave më të mëdha për t’u nxjerrë prej të kujtuarit të Krishtit—të mundësohesh ta përballosh vdekjen me një vetëkontroll të bekuar.
III. Tani kemi arritur te pjesa e tretë e përsiatjeve tona që është NJE NDIHMË E ËMBËL PËR KUJTESËN.
Në shkollë ne përdorim disa libra, të quajtur “Ndihmesë për kujtesën.” Jam i sigurt se ato më shumë më hutuan se më ndihmuan. Dobia e tyre ishte njësoj me një vandak shkopinjsh nën krahun e një udhëtari—është e vërtetë se ai mund t’i përdorë ato një nga një për të ecur, por ama duke mbajtur njëkohësisht plot të tjerë. Por Shpëtimtari ynë ishte më i urtë se të gjithë mësuesit tanë dhe përkujtimet e Tij janë një ndihmë e vërtetë dhe reale për kujtesën. Dëshmitë e Tij të dashurisë kanë një gjuhë të pagabueshme dhe ato fitojnë ëmbëlsisht vëmendjen tonë.
Shikoni të gjithë misterin e Darkës së Shenjtë të Zotit. Është buka dhe vera që janë emblema të gjalla të trupit dhe gjakut të Jezusit. Fuqia për të nxitur kujtesën qëndron në thirrjen tërheqëse që i bëhet kështu shqisave. Këtu, syri, dora, goja gjejnë kënaqësi në punën e tyre. Buka shijohet dhe duke u marrë përbrenda, vepron mbi shqisën e shijes, e cila ka ndikim të fuqishëm ndaj kujtesës. Vera pihet—veprimi është i prekshëm. E dimë se po pimë dhe kështu shqisat që zakonisht janë pengesa bëhen krahë për ta ngritur mendjen në soditje.
Përsëri—shumë prej ndikimit të Darkës së Zotit gjendet në thjeshtësinë e saj. Sa hijshëm e thjeshtë që është ceremonia—bukë e thyer dhe verë e derdhur në kupa. Nuk ka ta quash këtë gjë këlshejt, atë gjë kapakun e këlshejtit dhe atë gjë naforë. Këtu nuk ka asgjë për të rënduar kujtesën—këtu është thjesht buka dhe vera. Nuk duhet të ketë aspak kujtesë ai që nuk mund të kujtojë se ka ngrënë bukë dhe ka qenë duke pirë verë. Vini re përsëri, kuptimplotësinë e fuqishme të këtyre shenjave—sa plot me domethënie që janë. Bukë e thyer—po ashtu u thye Shpëtimtari juaj. Bukë për t’u ngrënë—po ashtu trupi i Tij është mish me të vërtetë. Verë e derdhur në kupë, lëngu i shtrydhur i rrushit—po ashtu Shpëtimtari juaj u shtyp nën këmbën e Drejtësisë Hyjnore. Gjaku i Tij është vera juaj më e ëmbël. Verë për të ngazëlluar zemrat tuaja—po ashtu bën dhe gjaku i Jezusit. Verë për t’ju forcuar dhe për t’ju fuqizuar—po ashtu bën dhe gjaku i Flijimit të Fuqishëm. Oh, bëjeni atë bukë dhe atë verë për shpirtrat tuaj sonte një ndihmë të ëmbël dhe të bekuar kujtese për atë Njeri të shtrenjtë që dikur mbi Kalvar vdiq. Ashtu si qengji i vogël, tani do të hani bukën e të zotit tuaj dhe do të pini prej kupës së tij. Kujtoni dorën që ju ushqen.
Por përpara se ta kujtoni mirë Krishtin këtu, duhet të kërkoni ndihmën e Frymës së Shenjtë. Besoj se duhet të ketë një përgatitje para Darkës së Zotit. Nuk besoj në përgatitjen e asaj zonje që shpenzoi një javë duke u përgatitur dhe më pas duke parë se nuk ishte E Diela e Darkës së Zotit, tha se kishte humbur gjithë javën. Nuk besoj në atë lloj përgatitje. Por ama besoj fort në një përgatitje të shenjtë për Darkën e Zotit—kur ne mund një të shtunë, nëse e mundur, të shpenzojmë një orë në përsiatje të qetë mbi Krishtin dhe pasionin e Tij. Kur veçanërisht mbasditen e Shabatit, ne mund me përkushtim të ulemi dhe të vështrojmë Atë—atëherë këto pamje bëhen realitet dhe jo tallje, siç janë për disa.
Druaj me të madhe se ka disa prej jush që do ta hanë bukën sonte dhe nuk do të mendojnë për Krishtin—disa prej jush që do të pinë verën dhe nuk do mendojnë për gjakun e Tij—hipokritë të poshtër do jeni ndërsa e bëni këtë. Kini kujdes për veten tuaj, “Ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi—çfarë?—”një dënim për veten e tij.” Kjo është shqipe e shkoqur. Kini kujdes se çfarë po bëni! Mos e bëni me shkujdesje. Sepse prej të gjitha gjërave të shenjta mbi tokë, është gjëja më solemne. Kemi dëgjuar për njerëz që janë bërë miq të pandarë duke gjakosur krahun e tyre dhe duke pirë gjakun e njëri tjetrit. Këtu ju keni për të pirë gjak prej venave të Krishtit dhe të rrufisni currilin që çurgon prej vetë zemrës së Tij të dashur. A nuk është kjo një gjë solemne? A duhet ta marrë lehtë ndokush këtë? Të shkosh në kishë dhe ta marrësh Darkën e Zotit si një gjë pa vlerë? Të vish dhe të bashkohesh me ne për të marrë lëmosha? Larg qoftë! Është një blasfemi e tmerrshme kundër Perëndisë së Plotfuqishëm dhe mes të mallkuarve në Ferr! Ata që guxuan të tallen kështu me urdhëresën e shenjtë të Perëndisë do të jenë mes më të mallkuarve. Ky është përkujtimi i Krishtit. “Bëni këtë në përkujtimin Tim.” Nëse nuk mund ta bëni për të kujtuar Krishtin, ju përgjërohem, nëse i doni shpirtrat tuaj, mos e bëni fare. Oh, burrë ose grua e paripërtëritur, mos hyr në oborrin e priftërinjve, se mos Perëndia i Izraelit zemërohet kundra furacakut.
IV. Dhe tani për ta mbyllur. Këtu ka një URDHËRIM TË ËMBËL—”Bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.” Kujt i zbatohet ky urdhërim? “JU bëjeni.” Është e rëndësishme t’i përgjigjesh kësaj pyetje—”JU bëjeni.” Për kë bëhet fjalë këtu? Ju që e vendosni besimin tek Unë. “Ju bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.” Tani, merrni me mend sikur Krishti po ju flet sonte. Dhe Ai thotë, “Ju bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.” Krishti ju vëzhgon në pragun e derës. Disa nga ju kthehen në shtëpi dhe Krishti thotë, “Por Unë thashë, “Ju bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.” Disa nga ju zënë vend si spektatorë. Krishti ulet me ju dhe thotë, “Por Unë thashë, “Ju bëjeni këtë për të më kujtuar Mua.” “Zot, e di se the këtë.” “A më do pra?” “Po, të dua. Të dua Zot, ti e di se të dua.” “Por, po të them, shko pra—haje atë bukë, pije atë verë.” Jo Zot, nuk dua. Do të më duhet të pagëzohem nëse i bashkohem asaj Kishe dhe kam frikë se do të gjykohem nga të tjerët. Kam frikë të paraqitem para Kishës, sepse mendoj se do të më bëjnë ca pyetje që nuk do të mundja t’i përgjigjesha dot.”
“Çfarë? pyet Krishti, “A është e gjithë kjo dashuria jote për Mua? A është gjithë kjo ndjenja për Zotin tënd? Oh, sa i ftohtë që po tregohesh ndaj Meje, Shpëtimtarit tënd. Sikur të mos të të kisha dashur më shumë se kaq, do të kishe qenë në ferr—sikur kjo të ishte e gjithë gjerësia e dashurisë sime, nuk do të kisha vdekur për ty. Dashuria e madhe mbajti agoni të mëdha—dhe a është kjo gjithë mirënjohja për Mua?” Mbas kësaj, a nuk kanë turp disa nga ju? A nuk po thoni në zemrat tuaja, “është me të vërtetë gabim?” Krishti thotë “Bëjeni këtë për të më kujtuar Mua,” dhe a nuk keni turp që qëndroni tutje? Ftoj hapur çdo dashurues të Jezusit për të ardhur te kjo tryezë. Ju përgjërohem, mos i mohoni vetes këtë privilegj duke refuzuar të bashkoheni me kishën. Nëse jetoni akoma në neglizhencë mëkatare të kësaj urdhërese, më lejoni t’ju kujtoj se Krishti ka thënë, “Nëse dikujt i vjen turp për Mua dhe për fjalët e Mia, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për të, kur të vijë në lavdinë e Vet dhe të Atit.” Oh, ushtar i Kryqit, mos u bëj burracak! Dhe për të shmangur çdo keqkuptim, më duhet të shtoj edhe një gjë dhe me kaq do ta mbyll. Kur ju flas për marrjen prej jush të Darkës së Zotit, mos përfytyroni se dëshiroj qoftë edhe për një çast të vetëm të merrni me mend se ka ndonjë gjë shpëtuese në të. Disa thonë se urdhëresa e Pagëzimit është jo-thelbësore. Po ashtu është dhe urdhëresa e Darkës së Zotit—është jo-thelbësore, nëse e shikojmë nën dritën e shpëtimit. Të shpëtohesh duke ngrënë një copë bukë? Gjepura, gjepura të mallkuara! Të shpëtohesh duke pirë një pikë verë? Epo është tepër absurde për gjykimin e shëndoshë të pranojë ndonjë diskutim në lidhje me këtë! Ju e dini se është gjaku i Jezu Krishtit, është merita e agonive të Tij, është shpengimi nëpërmjet vuajtjeve të Tij—është vetëm ajo që Ai bëri—që mund të na shpëtojë. Hidhuni me guxim te Ai—guxoni tërësisht—dhe atëherë do të shpëtoheni. A e di o mëkatar i gjorë i dënuar, rrugën e shpëtimit? Nëse të ndesh ndonjë herë në botën e ardhshme, ndoshta mund të më thuash, “Kalova një mbasdite, zotëri, duke ju dëgjuar dhe nuk ma treguat kurrë rrugën për në Qiell.” Epo, do ta dëgjosh tani— Beso në Zotin Jezu Krisht, mirëbesoi emrit të Tij, gjej strehë në kryqin e Tij, mbështetu në fuqinë e Frymës së Tij, mirëbesoi drejtësisë së Tij dhe do të shpëtohesh nga hakmarrja e Ligjit dhe nga pushteti i ferrit. Por ama vendose besimin te veprat e tua dhe atëherë po aq me siguri sa jeton kjo do të ishte humbja jote. Tani, o përherë i lavdishëm Bir i Perëndisë, ne i afrohemi tryezës Tënde për të festuar me gjellët e hirit. Lejo secilin prej nesh, duke u mbështetur te Fryma jote, te thërrasim me fjalët e njërit prej vetë poetëve të Tu—
“Të të kujtoj Ty dhe dhimbjet e Tua
dhe gjithë dashurinë Tënde për mua?—Po,
Ndërsa një rrahje zemre ose frymë mbetet
Do të të kujtoj.
Dhe kur këto buzë të mekura të vrugohen
Dhe mendimi dhe kujtesa të largohen
Kur të vish në mbretërinë Tënde,
Jezus, më kujto!”