1 dhjetor (Ecja e vërtetë)
“Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurtë.” {Proverba 10:9}
Ecja e tij mund të jetë e ngadaltë, por ama është e sigurtë. Ai që nxitohet të pasurohet nuk do të jetë as i pafajshëm as i sigurtë, por këmbëngulja e qëndrueshme në integritet, nëse nuk sjell pasuri, me siguri që do të sjellë paqe. Duke bërë atë që është e drejtë dhe e duhur ne jemi si dikush që ecën mbi një shkëmb, sepse kemi mirëbesim se çdo hap që bëjmë është mbi tokë të fortë dhe të sigurtë. Nga ana tjetër, edhe suksesi më i madh përmes ujdive të dyshimta është përherë i rremë dhe mashtrues dhe njeriu që e ka arritur do të ketë përherë frikë se dita e llogaridhënies do të vijë dhe se fitimet e tij do ta dënojnë.
Le t’i ngjitemi të vërtetës dhe drejtësisë. Me anë të hirit të Perëndisë le të imitojmë Zotin dhe Mjeshtrin tonë, në gojën e të Cilit nuk u gjet ndonjëherë mashtrim. Le të mos kemi frikë kur jemi të varfër as kur trajtohemi me përçmim. Në asnjë mënyrë le të mos bëjmë kurrë atë që ndërgjegjja jonë nuk do ta justifikonte. Nëse humbim paqen e brendshme, humbim më shumë se sa mund të blejë një pasuri e tërë. Nëse qëndrojmë në vetë udhën e Zotit dhe nuk mëkatojmë kurrë kundra ndërgjegjes sonë, rruga jonë është e sigurtë nga kushdo qoftë. Kush është ai që do na dëmtojë nëse ne jemi ndjekës të asaj që është e mirë? Mund të konsiderohemi si të çmendur prej të çmendurve nëse qëndrojmë të patundur në integritetin tonë, por në vendin ku gjykimi është i pagabueshëm ne do të gjejmë miratim.
2 dhjetor (Shembulli ynë më i shenjtë)
“Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se Ai rri në të djathtën time,unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.”
{Psalmi 16:8}
Kjo është mënyra se si duhet jetuar. Me Perëndinë përherë përpara nesh, do të kemi shoqërimin më fisnik, shembullin më të shenjtë, ngushëllimin më të ëmbël dhe ndikimin më të fuqishëm. Ky duhet të jetë një veprim mendjeje i vendosur, “E kam vënë,” dhe duhet të mbahet si një gjë e patundur dhe e prerë. Të kesh gjithmonë një sy për syrin e Zotit dhe një vesh për zërin e Zotit—kjo është gjendja e duhur për njeriun e përshpirtshëm. Perëndia i tij është afër tij, duke mbushur horizontin e vizionit të tij, duke udhëhequr jetën e tij dhe duke furnizuar temën e përsiatjes së tij. Çfarë kotësish do të mënjanonim, çfarë mëkatesh do të mposhtnim, çfarë virtytesh do të nxirrnim në pah, çfarë gëzimesh do të përjetonim, nëse me të vërtetë do ta vendosnim Zotin gjithmonë përpara nesh! Pse jo?
Kjo është rruga e sigurisë. Zoti duke qenë përherë në mendjet tona, ne fillojmë të ndjejmë siguri dhe bindje ngaqë Ai është kaq afër. Ai është në krahun tonë të djathtë për të na udhëhequr dhe ndihmuar; dhe prandaj ne nuk lëvizim nga vendi as prej frikës, as prej forcës, as prej mashtrimit, as prej paqëndrueshmërisë. Kur Perëndia qëndron në krahun e djathtë të një njeriu, ai njeri vetë është i sigurtë se do të qëndrojë. Ejani pra, ju armiq të së vërtetës! Vërshoni kundra meje si një stuhi e furishme, nëse doni. Perëndia më mbështet. Perëndia qëndron me mua. Kë do të kem frikë?
3 dhjetor (Paqe në çdo rrethanë)
“Do të vendos me to një besëlidhje paqeje dhe do të zhduk nga vendi kafshët e liga, kështu ato do të mund të rrinë të sigurtë në shkretëtirë dhe të flenë nëpër pyje.”
{Ezekiel 34:25}
Është kulmi i hirit që Jehovai të mund të hyjë në besëlidhje me njeriun, një krijesë e dobët, mëkatare dhe e vdekshme. Prapëseprapë Zoti ka hyrë solemnisht në një marrëveshje besnike me ne dhe prej kësaj besëlidhjeje Ai nuk do të tërhiqet kurrë. Në sajë të kësaj besëlidhjeje ne jemi të sigurtë. Po ashtu si luanët dhe ujqërit dëbohen nga barinjtë, po ashtu të gjitha ndikimet e dëmshme do të dëbohen tutje. Zoti do të na japë prehje prej turbulluesve dhe shkatërruesve; kafshët e liga do të zhduken nga vendi.
O Zot, përmbushe këtë premtim madje pikërisht tani! Njerëzit e Zotit kanë për të gëzuar siguri në vendet më të rrezikshme; shkretëtirat dhe pyjet kanë për të qenë si kullota dhe vathë për kopenë e Krishtit. Nëse Zoti nuk e ndryshon vendin për më mirë, Ai do na bëjë më të mirë në atë vend. Shkretëtira nuk është një vend për të ndenjur, por Zoti mund ta bëjë atë ashtu; në pyje njeriu ndjehet i shtrënguar më shumë të vëzhgojë se sa të flejë dhe prapëseprapë Zoti i jep të dashurve të Tij gjumë madje edhe atje. Asgjë përjashta ose përbrenda nuk duhet t’i shkaktojë ndonjë frikë fëmijës së Perëndisë. Me anë të besimit shkretëtira mund të bëhet rrethina e parajsës dhe pyjet paradhoma e lavdisë.
4 dhjetor (I mbuluar dhe i mbrojtur)
“Ai do të të mbulojë me pendët e Tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e Tij; besnikëria e Tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.”
{Psalmi 91:4}
Një krahasim me të vërtetë begenisës! Po ashtu si një klloçkë mbron zogjtë e saj dhe i lejon ato të struken nën krahët e saj, po ashtu dhe Zoti do të mbrojë njerëzit e Tij dhe do t’i lejojë ato të fshihen në Të. A nuk i kemi parë vallë zogthat duke nxjerrë kokën nën puplat e nënës së tyre?A nuk kemi dëgjuar vallë thirrmën e tyre të vockël e të gëzuar? Në këtë mënyrë le të strehohemi në Perëndinë tonë dhe le të ndjejmë paqe gufuese duke ditur se Ai është duke na ruajtur. Ndërsa Zoti na mbulon ne kemi mirëbesim të plotë. Do të ishte e çuditshme nëse nuk do të ndodhte kështu. Si mund të mos mirëbesojmë vallë atëherë kur Vetë Jehovai bëhet për ne vendbanimi, streha dhe prehja?
Kur kjo është kryer, atëherë ne dalim të luftojmë në emrin e Tij dhe gëzojmë të njëjtën përkujdesje ruajtëse. Ne kemi nevojë për mburojë dhe parzmore dhe kur i mirëbesojmë tërësisht Perëndisë, po ashtu si zogthi bën me klloçkën, njohim të vërtetën e Tij duke na armatosur prej këmbëve deri te koka. Zoti nuk mund të gënjejë; Ai duhet të jetë besnik ndaj popullit të Tij; premtimi i Tij duhet të qëndrojë. Kjo e vërtetë e sigurtë është e gjithë mburoja për të cilën kemi nevojë. Mbrapa saj ne sfidojmë thumbat e zjarrtë të armikut. Eja, shpirti im, fshihu nën ato krahë të mëdhenj, zhyte veten mes atyre puplave të buta! Sa fatlum që je!
5 dhjetor (Vende të larta mbrojtjeje)
“Ai do të banojë në vende të larta, shkëmbinjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t’i jepet, uji i tij do t’i sigurohet.”
{Isaia 33 :16}
Njeriu të cilit Perëndia i ka dhënë hir për të pasur një jetë të paqortueshme banon në siguri të plotë. Ai banon në lartësi, mbi botën, jashtë rrezes së qitjes së armikut dhe afër qiellit. Ai ka qëllime dhe motive të larta dhe gjen ngushëllime dhe shoqëri të lartë. Ai gëzohet në malet e dashurisë së përjetshme, ku ka banesën e tij. Ai mbrohet nga fortesa shkëmbi të mahnitshme. Gjërat më të qëndrueshme në univers janë premtimet dhe qëllimet e Perëndisë të pandryshueshëm dhe këto janë siguria e besimtarit të bindur.
Furnizimet e tij janë të siguruara nga ky premtim i madh, “buka e tij do t’i jepet.” Përderisa armiku nuk mund të ngjitet në kështjellë, as nuk mund të thyejë ledhin, po ashtu kështjella nuk mund të merret me anë të rrethimit dhe zisë së bukës. Zoti që bëri të bjerë si shi manë në shkretëtirë, do të vërë mënjanë ushqim për njerëzit e Tij edhe kur ata rrethohen prej atyre që duan t’i bëjnë të vdesin urie. Mirëpo, po sikur uji të mungonte? Kjo nuk është e mundur, “uji i tij do t’i sigurohet.” Ka një burim të pashtershëm përbrenda fortesës së pathyeshme. Zoti kujdeset që asgjë të mos mungojë. Asnjë nuk mund të prekë qytetarin e Sionit të vërtetë. Sado i egër qoftë armiku, Zoti do të ruajë të zgjedhurit e Tij.
6 dhjetor (“Përmes” ujërave dhe jo i gëlltitur prej tyre)
“Kur do të kalosh përmes ujërave Unë do të jem me ty,ose kur do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin;kur do të ecësh nëpër zjarr,nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë.”
{Isaia 43 :2}
Nuk ka asnjë urë; ne duhet të çajmë ujërat dhe duhet të ndjejmë vërshimin e lumenjve. Prania e Perëndisë mes ujërave është më mirë se një traget. Patjetër që do të sprovohemi por ama do të jemi triumfues, sepse Vetë Jehovai, që është më i fuqishëm se shumë ujëra, do të jetë me ne. Në çdo rast tjetër që mund të jetë larg prej njerëzve të Tij, Zoti me siguri do të jetë me to në vështirësi dhe rreziqe. Pikëllimet e jetës mund të ngrihen në një lartësi të jashtëzakonshme, por Zoti është në lartësinë e duhur në çdo rast.
Armiqtë e Perëndisë mund të vendosin në udhën tonë rreziqe që janë vetë krijesa të tyre, domethënë, përndjekje dhe përqeshje mizore, të cilat janë si një furrë e zjarrtë. E çfarë atëherë? Ne do të ecim përmes zjarreve. Perëndia duke qenë me ne, ne nuk do të digjemi; jo, madje as edhe era e tymit nuk do të mbetet mbi ne. Oh, siguria e mrekullueshme e pelegrinit qiell-lindur dhe qiell-drejtuar! Ujërat nuk mund ta mbysin atë, as zjarret nuk mund ta djegin. Prania jote, o Zot, është mbrojtja e shenjtorëve të Tu prej rreziqeve të ndryshme të rrugës. Ja, në besim ta zotoj veten dhe fryma ime hyn në prehje.
7 dhjetor (Forcë dhe bekim paqeje)
“Zoti do t’i japë forcë popullit të Tij; Zoti do të bekojë popullin e Tij me paqe.”
{Psalmi 29 :11}
Davidi sapo pati dëgjuar zërin e Zotit në një gjëmim dhe pati parë fuqinë e Tij në një uragan që na e përshkruan; dhe tani, në qetësinë mbas stuhisë, ajo fuqi e stërmadhe me anë të cilës qielli dhe toka dridhen premtohet të jetë forca e të zgjedhurve. Ai që lëshon rrufenë e pagabueshme do t’i japë të shlyerve të Tij krahët e shqiponjave; Ai që bën të dridhet toka, me zërin e Tij do të tmerrojë armiqtë e shenjtorëve të Tij dhe do t’i japë fëmijëve të Tij paqe. Pse jemi të dobët përderisa kemi forcë hyjnore ku të strehohemi? Pse trazohemi kur vetë paqja e Zotit është e jona? Jezusi, Perëndia i fuqishëm, është forca jonë; le ta bëjmë tonën dhe le të shkojmë përpara në shërbimin tonë. Jezusi, Zoti ynë i bekuar, është gjithashtu paqja jonë; le të prehemi në Të këtë ditë dhe t’i japim fund frikave tona. Çfarë bekimi të kesh Atë për forcën dhe paqen tonë tani dhe përherë!
Po ai Perëndi që kalëron mbi stuhi në ditët e stuhisë do të sundojë gjithashtu uraganin e mundimit tonë dhe do të na dërgojë së shpejti ditë paqeje. Do kemi forcë në stuhi dhe këngë në kohë të bukur. Le të fillojmë t’i këndojmë menjëherë Perëndisë, forcës dhe paqes tonë. Tutje, mendime të errëta! Ngrihuni lart, besim dhe shpresë!
8 dhjetor (Ndjekja shpie në nder)
“Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.”
{Gjoni 12 :26}
Shërbimi më i lartë është imitimi. Nëse dua të jem shërbëtori i Krishtit duhet të jem ndjekësi i Tij. Të bësh ashtu si Jezusi bëri është mënyra më e sigurtë për t’i sjellë nder emrit të Tij. Le të kujdesem për këtë çdo ditë. Nëse imitoj Jezusin do të kem shoqërinë e Tij; nëse jam si Ai do të jem me Të. Në kohën e duhur Ai do të më marrë të banoj me Të lart, nëse, ndërkohë, jam përpjekur ta ndjek Atë këtu poshtë. Mbas vuajtjes së Tij, Zoti ynë u ul në fronin e Tij dhe po ashtu, mbasi të kemi vuajtur për pak kohë me Të këtu poshtë, edhe ne do të fitojmë lavdinë.
Fundi i jetës së Zotit tonë do të jetë fundi i jetës sonë; nëse jemi me Të në përuljen e Tij atëherë do të jemi me Të në lavdinë e Tij. Eja, shpirti im, merr kurajë dhe vendose këmbën në gjurmët e shënuara me gjak që Zoti ka lënë për ty. Le të mos rri pa vënë re se Ati do të nderojë ata që ndjekin Birin e Tij. Nëse Ai më shikon të sinqertë me Jezusin Ai do të vendosë mbi mua shenja favori dhe nderi për hir të Birit të Tij. Asnjë nder nuk mund të jetë si ky. Princat dhe perandorët japin si tituj thjesht hijet e nderit; thelbi i lavdisë vjen prej Atit. Prandaj, shpirti im, qëndroi afër Zotit tënd Jezus më ngushtë se kurrë ndonjëherë.
9 dhjetor (“Çdo gjë-ja” e besimit)
“Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”
{Marku 9 :23}
Mosbesimi ynë është pengesa më e madhe përgjatë rrugës sonë; në fakt, nuk ka ndonjë vështirësi tjetër të vërtetë përsa i përket përparimit dhe begatisë sonë shpirtërore. Zoti mund të bëj gjithçka, por kur Ai nxjerr si rregull se do të na bëhet sipas besimit tonë, atëherë mosbesimi ynë lidh duart e plotfuqishmërisë së Tij. Po, konfederatat e të ligës do të shpërndahen nëse do të besonim. E vërteta e përçmuar do ta ngrejë kokën nëse do të kemi mirëbesim në Perëndinë e të vërtetës. Mund të mbajmë ngarkesën tonë të telashit, ose mund të kalojmë të padëmtuar përmes dallgëve të pikëllimit, nëse mund të ngjeshim ijët tona me brezin e paqes, ai brez që mbërthehet prej duarve të mirëbesimit.
Çfarë nuk mund të besojmë? A është çdo gjë e mundur përveçse të besosh në Perëndinë? Prapëseprapë Ai është gjithmonë i vërtetë; e pse nuk i besojmë Atij? Ai është gjithmonë besnik ndaj fjalës së Tij; pse nuk mund t’i mirëbesojmë? Kur jemi në një gjendje të duhur zemre, besimi nuk na kushton ndonjë përpjekje; është për ne atëherë po aq e natyrshme të mbështetemi te Perëndia sa për një fëmijë t’i besojë atit të tij. Më e keqja është se ne mund t’i besojmë Perëndisë për gjithçka përveçse në sprovën shtrënguese të tanishme. Kjo është çmenduri. Eja, shpirti im, shkund tutje një mëkatshmëri të tillë dhe dorëzoja me besim Perëndisë tënd barrën, mundin, dëshirat e të tashmes. Kjo e kryer, gjithçka është e kryer.
10 dhjetor (Zoti është aleati ynë)
“Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të Tij dhe bën të gjitha ato që do të them,Unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.”
{Eksodi 23 :22}
Zoti Krisht në mes të popullit të Tij duhet njohur si i Tillë dhe kërkon bindje. Ai është mëkëmbësi i Perëndisë dhe flet në emër të Atit dhe na përket ne të bëjmë tërësisht dhe menjëherë ashtu si Ai urdhëron. Do të humbasim premtimin nëse shkelim parimin. Sa i madh që është bekimi i bindjes së plotë! Zoti hyn në besëlidhje me popullin e Tij, besëlidhje mbrojtëse dhe sulmuese. Ai do të bekojë ata që na bekojnë dhe do të mallkojë ata që na mallkojnë. Perëndia do të dalë me gjithë zemër bashkë me popullin e Tij dhe do të ketë për zemër situatën e tyre. Çfarë mbrojtjeje që na jep kjo!
Nuk kemi pse të shqetësohemi në lidhje me kundërshtarët tanë, kur jemi të siguruar se ata janë bërë kundërshtarët e Perëndisë. Nëse Jehovai ka marrë përsipër çështjen tonë, atëherë mund t’i lëmë armiqtë në duart e Tij. Për aq sa është në lojë interesi ynë ne nuk kemi armiq, por për kauzën e të vërtetës dhe drejtësisë marrim armët dhe shkojmë përpara në betejë. Në këtë luftë të shenjtë jemi aleatë me Perëndinë e përjetshëm dhe nëse i bindemi me kujdes ligjit të Zotit tonë Jezus, Ai është zotuar të shfaqë të gjithë fuqinë e Tij për ne. Prandaj ne nuk kemi frikë asnjë njeri.
11 dhjetor (Beso dhe bëj, bëj dhe beso)
“Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë dhe me të vërtetë që do të ushqehesh”
{Psalmi 37 :3}
Ki besim dhe bëj janë fjalë që shkojnë mirë bashkë, në rregullin që Fryma e Shenjtë i ka vendosur. Ne duhet të kemi besim dhe ky besim duhet të punojë. Mirëbesimi në Perëndinë na vë në punë për veprime të shenjta; ne i mirëbesojmë Perëndisë për mirë dhe atëherë bëjmë mirë. Ne nuk ulemi këmbë e kryq ngaqë besojmë, por ngrihemi dhe presim Zotin të punojë përmes nesh dhe me ne. Nuk duhet që të shqetësohemi dhe të bëjmë të ligën, por duhet që të kemi besim dhe të bëjmë të mirën. Ne as nuk kemi besim pa vepruar, as nuk veprojmë pa patur besim.
Kundërshtarët do të na çrrënjosnin po të mundnin, por duke patur besim dhe duke vepruar ne banojmë tokën. Nuk do të shkojmë në Egjipt, por do të mbesim në tokën e Emanuelit—providenca e Perëndisë, Kanani i dashurisë besëlidhëse. Nuk kemi për t’u hequr qafe dhe aq lehtë sa e mendojnë armiqtë e Zotit. Ata nuk mund të na nxjerrin dot jashtë as nuk mund të na shkelin me këmbë; atje ku Perëndia na ka dhënë një emër dhe një vend, atje ne banojmë. Por si i bëhet në lidhje me plotësimin e nevojave tona? Zoti ka vënë një “me të vërtetë” në këtë premtim. Po aq sa e vërtetë se Perëndia është i vërtetë, njerëzit e Tij do të ushqehen. I përket atyre të mirëbesojnë dhe të veprojnë dhe i përket Zotit të veprojë sipas mirëbesimit të tyre. Nëse nuk ushqehen prej korbave ose prej një Obadie, ose prej një të veje, prapëseprapë në një farë mënyre ata do të ushqehen. Tutje ju frikëra!
12 dhjetor (Një zemër e qetë)
“Forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj.”
{Isaia 30 :15}
Është përherë dobësi të jesh duke prishur gjakun, duke u shqetësuar, duke dyshuar dhe duke mosbesuar. Çfarë mund të bëjmë nëse e rraskapitim veten? A mund të fitojmë ndonjë gjë duke pasur frikë dhe duke u shqetësuar? A nuk e bëjmë veten të paaftë për veprim dhe pështjellojmë mendjet tona pa marrë dot vendime të urta? Jemi duke u zhytur prej mundimeve tona ndërkohë që mund të pluskonim lart me anë të besimit. Oh paçim hir për të qenë të qetë! Pse të vrapojmë vallë prej një shtëpie në një tjetër për të përsëritur historinë e lodhshme që na bën më shumë e më shumë zemër-sëmurë teksa e tregojmë atë? E pse madje edhe të qëndrojmë në shtëpi për të klithur në agoni për shkak të parandjenjave ogurzeza që mund të mos përmbushen kurrë?
Do të ishte mirë të mbanim një gjuhë të qetë, por do ishte shumë më mirë sikur të kishim një zemër të qetë. Oh të jesh i qetë dhe të dish se Jehovai është Perëndi! Oh paçim hir për të pasur besim në Perëndinë! I Shenjti i Izraelit duhet të mbrojë dhe të çlirojë të tijët. Ai nuk mund të zmbrapset prej deklaratave të Tij solemne. Le të jemi të sigurtë se çdo fjalë e Tij do të qëndrojë edhe sikur malet të lëvizeshin nga vendi. Ai e meriton të mirëbesohet; dhe nëse do të shfaqim mirëbesim dhe si rrjedhojë qetësi, atëherë do të jemi po aq të lumtur sa frymët që qëndrojnë përpara fronit. Eja, shpirti im, kthehu në prehjen tënde dhe mbështet kokën tënde mbi kraharorin e Zotit Jezus.
13 dhjetor (Mbrëmja shkëlqen në dritë)
“Nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.”
{Zakaria 14:7}
Është befasuese se do të ndodhë me të vërtetë kështu, sepse të gjitha gjërat paralajmërojnë se në mbrëmje do të jetë errësirë. Perëndia e ka zakon të veprojë në një mënyrë kaq shumë mbi frikërat tona dhe përtej shpresave tona, sa ne mrekullohemi jashtëzakonisht shumë dhe shtyhemi të lëvdojmë hirin e Tij sovran. Jo, nuk do të jetë me ne ashtu si po profetizojnë zemrat tona; errësira nuk do të thellohet në mesnatë, por papritur do të shkëlqejë në ditë. Le të mos dëshpërohemi kurrë. Në kohët më të këqija le t’i mirëbesojmë Zotit që ktheu errësirën e hijes së vdekjes në mëngjes. Kur sasia e tullave u dyfishua Moisiu shfaqet dhe kur mundimi është me bollëk atëherë po i vjen fundi.
Ky premtim duhet të ndihmojë durimin tonë. Drita mund të mos vijë plotësisht derisa shpresat tona janë pothuajse duke u shuar duke pritur gjithë ditën pa rezultat. Për të ligun dielli perëndon ndërsa është akoma ditë; për të drejtin dielli lind ndërsa është akoma natë. A nuk mund të presim dot me durim për atë dritë qiellore që mund të vonojë shumë të vijë, por ama që ia vlen ta presësh? Eja, shpirti im, merr shëmbëlltyrën tënde dhe këndoi Atij që do të të bekojë në jetë dhe në vdekje, në një mënyrë që do të tejkalojë gjithçka që natyra ka parë ndonjëherë në kohën e saj më të mirë.
14 dhjetor (Asgjë e vjetër)
“Dhe Ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, Unë i bëj të gjitha gjërat të reja.”
{Zbulesa 21:5}
Lavdi i qoftë emrit të Tij! Të gjitha gjërat kanë nevojë që të bëhen të reja, sepse ato trishtueshëm janë dërrmuar dhe prishur prej mëkatit. Është koha që rroba e vjetër të mbështillet dhe të vihet mënjanë dhe që krijesa të veshë rrobën e saj të Shabatit. Mirëpo askush tjetër nuk mund të bëjë të gjitha gjërat të reja përveç Zotit që i bëri ato së pari, sepse është e nevojshme po aq fuqi për të nxjerrë në dritë nga e liga se nga asgjëja. Zoti ynë Jezus e ka marrë përsipër detyrën dhe Ai është plotësisht i aftë për ta kryer. Ai tashmë ka filluar mundin e Tij dhe në shekuj Ai ka këmbëngulur të bëjë të reja zemrat e njerëzve dhe rregullin e shoqërisë. Në të ardhmen, Ai do ta bëjë të re të gjithë ngrehinën e qeverisjes njerëzore dhe natyra njerëzore do të ndryshohet me anë të hirit të Tij; dhe do të vijë një ditë kur madje edhe trupi do të bëhet i ri dhe do të ngjallet i ngjashëm me trupin e Tij të lavdishëm.
Çfarë gëzimi t’i përkasësh një mbretërie ku çdo gjë është bërë e re prej pushtetit të Mbretit të Tij! Ne nuk po vdesim; ne po shpejtojmë për një jetë më të lavdishme. Me gjithë kundërshtimin e fuqive të së ligës, Zoti ynë i lavdishëm Jezus është duke përmbushur qëllimin e Tij, po na bën ne dhe të gjitha gjërat rreth nesh, “të rinj,” dhe po me aq bukuri sa kur dolën në dritë për herë të parë nga dora e Zotit.
15 dhjetor (Pajtim botëror)
“Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj;një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.”
{Isaia 2:4}
Oh, sikur të kishin arritur këto kohë të lumtura! Në të tashmen kombet janë të armatosur rëndë dhe janë duke shpikur armë akoma më shumë të tmerrshme, sikur qëllimi kryesor i njeriut të mund të përmbushej vetëm duke shkatërruar miriada prej të afërmeve të tij. Prapëseprapë një ditë paqja do të mbizotërojë; po dhe do të mbizotërojë në mënyrë të tillë sa instrumentet e shkatërrimit do të farkëtohen në forma të tjera dhe do të përdoren për qëllime më të mira.
Si do të ndodhë kjo vallë? Me anë të tregtisë ? Me anë të qytetërimit? Me anë të arbitrimit? Nuk e besojmë këtë. Përvoja e kaluar na ndalon t’i besojmë mjeteve kaq të dobëta. Paqja do të vendoset vetëm nëpërmjet mbretërimit të Princit të Paqes. Ai duhet të mësojë njerëzit me anë të Frymës së Tij, të ripërsërisë zemrat e tyre me anë të hirit të Tij dhe të mbretërojë mbi ta me anë të pushtetit të Tij suprem dhe atëherë ata do të reshtin të plagosin dhe vrasin. Njeriu është një përbindësh kur gjaku i tij është i nxehur dhe vetëm Zoti Jezus mund të kthejë këtë luan në një qengj. Duke ndryshuar zemrën e njeriut, pasionet e tij gjak-etur hiqen. Çdo lexues i këtij libri premtimesh le t’i paraqesë lutje të veçantë sot Zotit dhe Dhënësit të Paqes, që Ai të mund t’i japë fund me shpejtësi luftës dhe të vendosë pajtimin në të gjithë botën.
16 dhjetor (Dëbim hyjnor)
“Ti do t’i dëbosh Kananejtë megjithëse kanë qerre të hekurta dhe janë të fortë.”
{Jozueu 17:18}
Është një zemërdhënie e madhe për trimëri të jesh i siguruar për fitoren, sepse atëherë një njeri niset përpara për në luftë me mirëbesim dhe guxon atje ku nuk do të kishte guxuar dot. Lufta jonë është me të ligën përbrenda nesh dhe rreth nesh dhe ne duhet të jemi të bindur se jemi të aftë të arrijmë fitoren dhe se ashtu do të ndodhë në emrin e Zotit Jezus. Ne nuk shkojmë drejt greminës, por shkojmë drejt fitores dhe kemi për të fituar. Hiri i Perëndisë në plotfuqishmërinë e Tij na është dhënë për mposhtjen e të ligës në çdo formë, prandaj dhe siguria e triumfit.
Disa nga mëkatet tona gjejnë qerre të hekurta në karakterin tonë, në zakonet tona të mëparshme, në shoqëritë dhe kohëzëniet tona. Megjithatë ne duhet t’i mposhtim. Ata janë shumë të fortë dhe ne jemi shumë të dobët para tyre, prapëseprapë në emër të Perëndisë ne duhet t’i zotërojmë dhe do t’i zotërojmë. Nëse një mëkat ka sundim mbi ne ne nuk jemi njerëzit e lirë të Zotit. Një njeri që mbahet vetëm nga një zinxhir është akoma rob. Nuk ka shkuarje në parajsë me një mëkat që na sundon përbrenda, sepse për shenjtorët është e shkruar, “Mëkati nuk do të sundojë te ju.” Ngrihuni lart pra dhe vrisni çdo kananas dhe bëni copa copa çdo qerre të hekurt! Zoti i ushtrive është me ne dhe kush do t’i rezistojë vallë pushtetit të Tij mëkat-shkatërrues?
17 dhjetor (Shoqërim më i ngushtë dhe më i shtrenjtë)
“Kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.”
{1 Thesalonikasve 4:17}
Kur jemi këtu Zoti është me ne dhe kur lëmë këtë jetë ne jemi me Të. Nuk ka ndarje të shenjtorit prej Shpëtimtarit të Tij. Ata janë një dhe ata duhet të jenë gjithmonë një; Jezusi nuk mund të jetë pa njerëzit e Tij, sepse përndryshe do të ishte një kokë pa trup. Qofshim të rrëmbyer në qiell, ose duke u prehur në Parajsë ose duke qëndruar këtu, ne jemi me Jezusin; dhe kush vallë do të na ndajë prej Tij?
Çfarë gëzimi që është ky! Nderi, prehja, ngushëllimi, ëndja jonë supreme është të jemi me Zotin. Ne nuk mund të përfytyrojmë ndonjë gjë që mund të tejkalojë ose madje ta barazojë këtë shoqëri hyjnore. Ne duhet të jemi me Të me shoqërim të shenjtë në poshtërimin, refuzimin dhe mundin e Tij dhe më pas do të jemi me Të në lavdinë e Tij. Së shpejti do të jemi me të në prehjen, në fisnikërinë, në pritjen dhe në shfaqjen e Tij. Do të rrugëtojmë ashtu si Ai rrugëtoi dhe do të triumfojmë ashtu si Ai triumfon. O Zoti im, nëse kam për të qenë përherë me Ty, kam një fat të pashoq. Nuk do të lakmoj një kryeëngjëll. Të jem përherë me Zotin është idea ime ideale e qiellit. As harpat prej ari, as kurorat e pavdira, as drita e qëruar, nuk janë lavdi për mua, por Jezusi,Vetë Jezusi, unë përherë me Të në shoqërim më të ngushtë dhe më të dashur.
18 dhjetor (I mbrojtur dhe i mbuluar)
“Ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjlit e tyre, kështu Zoti i ushtrive do të mbrojë Jeruzalemin.”
{Isaia 31:5}
Me fluturim të përshpejtuar nëna nxiton të mbrojë të vegjlit e saj. Ajo nuk humbet kohë gjatë rrugës kur bëhet fjalë për t’i furnizuar me ushqim dhe t’i ruajë prej rrezikut. Po ashtu edhe Zoti si me krahë shqiponje do të vijë për mbrojtjen e të zgjedhurve të Tij; po, Ai do të kalërojë mbi krahët e resë. Me krahë të shtrirë nëna mbulon të vegjlit e saj në fole. Ajo i fsheh duke ndërvënë vetë trupin e saj. Klloçka i jep vetë ngrohtësinë e saj të vegjëlve të saj dhe i bën krahët e saj një shtëpi ku ato banojnë në siguri. Kështu Vetë Jehovai bëhet mbrojtësi i të zgjedhurve të Tij. Ai Vetë është streha e tyre, banesa e tyre, gjithçkaja e tyre.
Po ashtu si zogjtë fluturojnë mbi të vegjlit dhe i mbulojnë (sepse fjala i ka të dyja kuptimet) po ashtu do të jetë Zoti për ne; dhe do të jetë kështu vazhdimisht dhe me sukses. Do të mbrohemi dhe do të ruhemi prej çdo të lige; Zoti që e ngjason Veten me zogjtë nuk do të jetë si ato në dobësinë e tyre sepse Ai është Jehovai i ushtrive. Le të jetë ky ngushëllimi ynë, se dashuria e plotfuqishme do të jetë e shpejtë për të ardhur në ndihmë dhe e sigurtë për të mbuluar. Krahu i Perëndisë është më i shpejtë dhe më i butë se krahu i një zogu dhe ne do të vëmë besimin tonë nën hijen e tij që këtej e tutje.
19 dhjetor (Pikëllime por ama jo kocka të thyera)
“Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.”
{Psalmi 34:20}
Ky premtim i marrë në kontekstin e tij i referohet njeriut të drejtë shumë të pikëlluar: “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.” Ai mund të vuajë nga plagë në lëkurën dhe mishin e tij, por asnjë dëm i madh nuk do të bëhet, “asnjë prej kockave të tij nuk copëtohet.” Ky është ngushëllim i madh për një fëmijë të sprovuar të Perëndisë dhe një ngushëllim që guxoj ta pranoj, sepse deri tanimë nuk kam pësuar ndonjë dëm të vërtetë prej shumë vuajtjesh. Nuk kam humbur as besimin, as shpresën, as dashurinë. Jo, larg prej së humburi këto kocka të karakterit, ato kanë fituar në forcë dhe energji. Kam më shumë njohuri, më shumë përvojë, më shumë durim, më shumë stabilitet se ç’kam pasur përpara se të vinin sprovat. Madje as edhe gëzimi im nuk është shkatërruar.
Kam patur shumë vraja prej sëmundjes, prej humbjeve, depresionit, shpifjes dhe kundërshtimit, por vraja është shëruar dhe nuk ka pasur asnjë thyerje të ndërlikuar të ndonjë kocke, madje qoftë edhe ndonjë thyerje të vogël. Arsyen për këtë nuk kemi pse e kërkojmë larg. Nëse kemi mirëbesim në Zotin, Ai ruan të gjitha kockat tona; dhe nëse Ai i ruan ato, le të jemi të sigurtë se asnjëra prej tyre nuk është e thyer. Eja, zemra ime, mos u pikëllo. Ti je e lënduar, por ama nuk ka kocka të thyera. Duro vështirësinë dhe sfido frikën.
20 dhjetor (Njeriu është njeri, Perëndia është Perëndi)
“Unë, Unë vetë, jam Ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari? Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?”
{Isai 51:12,13}
Vetë teksti le të merret si racioni për ditën e sotme. Nuk ka nevojë të zgjatesh shumë në lidhje me të. Ti që dridhesh, lexoje, besoje, ushqehu me të dhe merre në mbrojtje përpara Zotit. Atë që ke frikë fundi i fundit është veçse një njeri; ndërsa Ai që premton të të ngushëllojë është Perëndia, Krijuesi yt dhe Krijuesi i qiellit dhe tokës. Ngushëllimi i pafund bën më shumë se thjesht mbrojtja nga një rrezik shumë të kufizuar.
“Ku është tani tërbimi i shtypësit?” Është në dorën e Zotit. Është vetëm tërbimi i një krijese të vdekshme; tërbim që do të marrë fund po aq shpejt sa fryma del prej flegrave të hundës. Pse atëherë duhet që të tmerrohemi prej dikujt që është po aq i brishtë sa ne? Le të mos e çnderojmë Perëndinë tonë duke bërë një perëndi prej një njeriu të vocërr. Ne mund ta bëjmë një njeri një idhull duke e pasur tepër frikë po ashtu si edhe duke i shfaqur një dashuri të pazakontë. Le të trajtojmë njerëzit si njerëz dhe Perëndinë si Perëndi dhe atëherë do të shkojmë përpara me qetësi, duke pasur frikë Zotin dhe duke mos pasur frikë asnjë tjetër.
21 dhjetor (Prej zemërimit në dashuri)
“Atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.”
{Mikea 7:19}
Perëndia nuk tërhiqet kurrë prej dashurisë së Tij, por Ai shpejt tërhiqet prej zemërimit të Tij. Dashuria e Tij ndaj të zgjedhurve të Tij është sipas natyrës së Tij, zemërimi i Tij është vetëm sipas ofiqit të Tij: Ai do sepse është dashuri, Ai vrenjtet sepse është e nevojshme për të mirën tonë. Ai do të kthehet në vendin ku zemra e Tij prehet, domethënë, dashuria e Tij për të Tijët dhe më pas Ai do të ketë mëshirë për brengat tona dhe do t’i japë fund atyre.
Çfarë premtimi i zgjedhur që është ky—”Ai do shkelë paudhësitë tona!” Ai do t’i zotërojë ato. Ato përpiqen të na skllavërojnë, por Zoti do të na japë fitoren ndaj tyre me anë të vetë dorës së Tij. Ashtu si kananasit, ato do të mposhten, do të vihen nën zgjedhë dhe përfundimisht do të vriten. Përsa i përket fajit të mëkateve tona, sa lavdishëm që është hequr! “Tërë mëkatet tona,”—po, e gjithë mizëria e tyre; “Ti do të hedhësh”—vetëm një krah i plotfuqishëm mund të kryejë një mrekulli të tillë; “në fund të detit”—atje ku Faroni dhe qerret e tij përfunduan. Jo në cekëtinë, por në thellësitë do të hidhen mëkatet tona. Ato janë zhdukur të gjitha. Ato u zhytën në fund si një gur. Alelujah! Alelujah!
22 dhjetor (Menjëherë i pranishëm)
“Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.”
{Psalmi 46:1}
Një ndihmë që nuk është e pranishme kur e kemi nevojë vlen pak gjë. Spiranca që është lënë në shtëpi nuk i hyn në punë marinarit në orën e stuhisë; paraja e zotëruar më përpara nuk ka më vlerë për debitorin kur i është dërguar një fletëthirrje në gjyq. Shumë pak ndihma tokësore mund të quhen “gjithnjë të gatshme”; ato janë zakonisht larg kur i kërkojmë, larg kur duam t’i përdorim dhe akoma më larg mbasi na kanë hyrë në punë një herë. Por përsa i përket Zotit Perëndisë sonë, Ai është i pranishëm kur ne e kërkojmë Atë, i pranishëm kur kemi nevojë për Të dhe i pranishëm kur e kemi gëzuar tashmë ndihmën e Tij.
Ai është më shumë se i “pranishëm,” Ai është gjithnjë i pranishëm. Më i pranishëm se ç’mund të jetë shoku më i ngushtë, sepse Ai është brenda nesh në telashin tonë; më i pranishëm se ç’jemi për veten tonë, sepse ndonjëherë ne na mungon ndërgjegjshmëria. Ai është gjithmonë i pranishëm, efektshmërisht i pranishëm, dashamirësisht i pranishëm, plotësisht i pranishëm. Ai është i pranishëm tani nëse kjo është një periudhë e zymtë. Le të prehemi në Të. Ai është streha jonë, le të fshihemi në Të; Ai është forca jonë, le të vishemi me Të; Ai është ndihma jonë, le të mbështetemi mbi Të; Ai është ndihma jonë shumë e gatshme, le të çlodhemi në Të tani. Nuk kemi nevojë për të pasur një shqetësim a frikë çasti. “Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë.”
23 dhjetor (Gjëra të çmuara)
“Përsa i përket Jozefit, ai tha: “Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë.”
{Ligji i përtërirë 33:13}
Ne mund të jemi të pasur në të tilla gjëra që Jozefi pati dhe mund t’i kemi ato në një kuptim më të gjerë. Oh, për “dhuratat e çmuara të qiellit!” Fuqi me Perëndinë dhe shfaqje e fuqisë prej Perëndisë janë tepër të çmuara. Do të gëzojmë paqen e Perëndisë, gëzimin e Zotit, lavdinë e Perëndisë sonë. Bekimin e tre Personave hyjnore në dashuri, hir dhe shoqërim ne e çmojmë përtej arit më të rafinuar. Gjërat e tokës janë hiç gjë në çmueshmëri të krahasuara me gjërat e qiellit. “Vesa.” Sa e çmueshme që është kjo! Sa dhe si lutemi dhe lëvdojmë, kur kemi vesën! Çfarë freskimi, çfarë rritjeje, çfarë parfumi, çfarë jete që ka përbrenda nesh kur vesa është përreth!
Mbi çdo gjë tjetër, duke qenë bimët e mbjellur prej vetë dorës së djathtë të Zotit, ne kemi nevojë për vesën e Frymës së Shenjtë. “Ujërat e humnerës që ndodhet poshtë.” Me siguri që kjo i referohet oqeanit të fshehtë nën tokë që furnizon të gjitha burimet e freskëta që gëzojnë tokën. Oh të çikësh burimet e përjetshme! Kjo është lumni e pashprehshme; asnjë besimtar të mos gjej prehje derisa ta zotërojë. Plotfuqishmëria e të Përjetshmit është e jona përherë. Le ta përdorim menjëherë.
24 dhjetor (Mbi Jordanin me këngë)
“Armiqtë e tu do të të nënshtrohen.”
{Ligji i përtërirë 33 :29}
Ai krye-armik, djalli, është një gënjeshtar që prej fillimit, por ai është kaq i besueshëm sa, ashtu si nëna Evë, shtyhemi ta besojmë. Prapëseprapë në përjetimin tonë ne do ta nxjerrim atë gënjeshtar. Ai thotë se do të biem prej hirit, do të çnderojmë rrëfimin e besimit tonë dhe do të vdesim me dënimin e besimmohuesve, por duke patur besim në Zotin Jezus, do të vazhdojmë deri në fund dhe do të provojmë se Jezusi nuk humb asnjë që Ati i ka dhënë. Ai na thotë se do të na mungojë buka dhe se do të vdesim urie me fëmijët tanë; prapëseprapë Ushqyesi i korbave nuk na ka harruar deri tani dhe nuk do të na harrojë kurrë, por do të na përgatisë një tryezë në praninë e armiqve tanë.
Ai pëshpërit se Zoti nuk do të na çlirojë prej sprovës që është duke na u kanosur nga larg dhe na tremb duke na paralajmëruar se nuk mbajmë dot më. Çfarë gënjeshtari që është! Sepse Zoti nuk do na lërë e nuk do na braktisë kurrë. “Ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani!” thërret djalli mashtrues, por Zoti do ta bëjë që të heshtë duke na ardhur në ndihmë. Ai gjen ëndje të madhe duke na thënë se vdekja do jetë e papërballueshme nga ne. “Çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?” Por edhe atje ai do të dalë një gënjeshtar dhe ne do të kalojmë përmes lumit duke kënduar psalme lavdie.
25 dhjetor (Ai erdhi, Ai është duke ardhur)
“Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell.”
{Veprat e apostujve 1 :11}
Shumë njerëz janë duke kremtuar sot ardhjen e parë të Zotit tonë; le t’i kthejmë mendimet tona te premtimi i ardhjes së dytë të Tij. Kjo është po aq e sigurtë sa ardhja e Tij e parë dhe siguria e saj rrjedh në një masë të madhe prej kësaj së fundit. Ai që erdhi si një njeri i përulur për të shërbyer, me siguri që do të vijë të marrë shpërblimin e shërbimit të Tij. Ai që erdhi të vuajë nuk do të jetë i ngadaltë të vijë për të mbretëruar.
Kjo është shpresa jonë e lavdishme, sepse ne do të marrim pjesë në gëzimin e Tij. Sot ne jemi në fshehjen dhe përuljen tonë, ashtu si Ai ndërsa ishte këtu poshtë, por kur Ai të vijë ne do të shfaqemi po ashtu si dhe Ai do të zbulohet. Shenjtorët e vdekur do të jetojnë me shfaqjen e Tij. Të përgojuarit dhe të përçmuarit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Atëherë shenjtorët do të shfaqen si mbretër dhe priftërinj dhe ditët e zisë së tyre do të marrin fund. Prehja e gjatë dhe shkëlqimi i papërfytyrueshëm i Mbretërisë Mijëvjeçare do të jetë një shpërblim i bollshëm për kohën e dëshmisë dhe luftimit. Oh ardhtë Zoti! Ai po vjen! Ai është në rrugë e sipër dhe po udhëton me shpejtësi. Tingulli i afrimit të Tij duhet të jetë si një melodi për zemrat tona! Tingëlloni ju kambana shprese!
26 dhjetor (Mund t’i zësh besë vetëm Zotit)
“Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!”
{Mateu 26 :33}
“Si kështu,” ia pret dikush, “ky nuk është premtim i Perëndisë.” Ashtu është me të vërtetë, por ama ishte një premtim njeriu dhe prandaj nuk pati rezultat. Pjetri mendoi se ishte duke thënë atë çfarë patjetër do ta kryente, por një premtim që nuk ka themel më të mirë se një vendim njerëzor do të bjerë përtokë. Jo më vonë se sa kur tundimet u ngritën Pjetri mohoi Mjeshtrin e Tij dhe përdori betime për të konfirmuar mohimin e tij. Çfarë është fjala e njeriut ? Një poçe dheu që thyhet me një goditje. Çfarë është vetë vendimi juaj? Një syth, që me përkujdesjen e Perëndisë mund të japë fryt, por që ama nëse i lënë vetëm do të bjerë në tokë prej erës së parë që lëviz degën.
Te fjala e njeriut var vetëm atë që mund të mbajë,
Mos u var aspak te vendimi yt
Te premtimi i Zotit tënd var kohën dhe përjetësinë
Këtë botë dhe botën tjetër, gjithçkanë tënde
Dhe gjithçkanë e njerëzve të tu të dashur.
Ky volum është një bllok çeqesh për besimtarët dhe kjo faqe është synuar si një paralajmërim përsa i përket bankës se ku tërheqin çeqet dhe firmës që pranojnë. Mbështetuni pa kufi mbi Jezusin. Mos i besoni përtej kufijve të duhur as vetes, as ndonjë të lindur prej gruas, por kini besim vetëm dhe tërësisht në Zotin.
27 dhjetor (Mirësia dhe besëlidhja e Tij)
“Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhembshuri për ty.”
{Isaia 54 :10}
Një prej cilësive më të kënaqshme të dashurisë hyjnore është karakteri i saj i qëndrueshëm. Shtyllat e tokës mund të lëvizen prej vendit të tyre, por dashamirësia dhe besëlidhja e Jehovait tonë të mëshirshëm nuk largohet kurrë prej popullit të Tij. Sa i lumtur që ndjehet shpirti im në ndërsa beson fort këtë deklaratë të frymëzuar! Viti pothuajse po mbaron dhe vitet e jetës sime janë të pakta, por koha nuk e ndryshon Zotin tim. Shpikje të reja zënë vendin e të vjetrave, me gjithçka kemi ndryshim të vazhdueshëm, por Zoti ynë është i njëjti. Fuqia bën që male të përmbysen, por ama asnjë fuqi e përfytyrueshme nuk mund të prekë Perëndinë e përjetshëm. Asgjë në të kaluarën, të tashmen, ose të ardhmen nuk mund ta shtyjë Jehovain të jetë i pashpirt me mua.
Shpirti im, prehu në mirësinë e përjetshme të Zotit që të trajton si njeriun e Tij. Kujto gjithashtu besëlidhjen e përjetshme. Perëndia e kujton përherë atë—ki kujdes që edhe ti ta kujtosh përherë. Në Krishtin Jezus Perëndia i lavdishëm e ka zotuar Veten ndaj teje të jetë Perëndia yt dhe të të trajtojë si një prej njerëzve të Tij. Dashuri dhe besëlidhje—qëndro në këto fjalë si gjëra aq të sigurta dhe të përhershme sa vetë përjetësia nuk do të mund t’i marrë dot prej teje.
28 dhjetor (Siguri absolute)
“Vetë Perëndia ka thënë : “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
{Hebrenjve 13 :5}
Shumë herë në Shkrimet Zoti e ka thënë këtë. Ai e ka përsëritur shpesh për ta bërë sigurinë tonë të sigurtë në mënyrë të dyfishtë. Le të mos ushqejmë asnjë dyshim në lidhje me të. Në vetvete premtimi është theksuar në mënyrë të veçantë. Në versionin origjinal në greqisht ka janë përdorur pesë mohorë, secili duke përjashtuar qartë mundësinë që Zoti të mund të lejojë që një prej njerëzve të Tij të mund të ndjehet me të drejtë i braktisur prej Perëndisë të Tij.
Ky Shkrim i çmuar nuk na premton përjashtim prej telashit, por ama na siguron me të vërtetë ndaj braktisjes. Mund të thirremi për të përshkuar shtigje të pakuptueshme, por ama do të kemi gjithmonë shoqërinë, ndihmesën dhe provaninë e Zotit tonë. Nuk kemi pse të lakmojmë para, sepse do të kemi gjithmonë Perëndinë tonë dhe Perëndia është më mirë se ari, favori i Tij është më mirë se pasuria. Me siguri që duhet të jemi të kënaqur me ato gjëra që zotërojmë, sepse ai që ka Perëndinë ka më shumë se e gjithë bota. Çfarë mund të kemi më shumë se Pafundësinë? Çfarë mund të dëshirojmë më shumë se Mirësinë e Plotfuqishme ? Eja, zemra ime; nëse Perëndia thotë se nuk do të të lërë kurrë, as nuk do të të braktisë, ji shumë në lutje për të pasur hir, që të mos ta mund ta lësh kurrë Zotin tënd dhe madje as dhe për një çast të mos braktisësh shtigjet e Tij.
29 dhjetor (Ai do na mbajë deri në vdekje)
“Deri në pleqërinë tuaj Unë do të mbetem po Ai, Unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe Unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj.”
{Isaia 46 :4}
Ky vit është tashmë në fundin e tij dhe këtu ka një premtim për miqtë tanë të moshuar; po dhe për ne të gjithë, teksa mosha e thyer afrohet pa kuptuar. Le të jetojmë gjatë mjaftueshëm dhe të gjithë do të kemi flokë të thinjur; kështu që edhe ne shumë mirë mund ta gëzojmë këtë premtim me anë të parashikimit të besimit. Kur plakemi Perëndia ynë do jetë akoma UNË JAM-i duke qëndruar përherë i njëjti. Flokët e thinjur na tregojnë kalbjen tonë, por Ai nuk kalbet. Kur nuk mund të mbajmë një barrë dhe me zor se mund të mbajmë veten, Zoti do të na mbajë.
Po ashtu si në ditët e rinisë sonë, Ai na mbajti si qengja në kraharorin e Tij, po ashtu do të bëjë në vitet e pafuqisë sonë. Ai na bëri dhe Ai do të përkujdeset për ne. Kur bëhemi një barrë për miqtë tanë dhe një barrë për veten tonë, Zoti nuk do të na largojë, por përkundrazi Ai do të na marrë, do të na mbajë dhe do të na çlirojë më plotësisht se asnjëherë tjetër. Në shumë raste Zoti i jep shërbëtorëve të Tij një mbrëmje të gjatë dhe të qetë. Ata punuan rëndë dhe u rraskapitën në shërbimin e Mjeshtrit të tyre dhe kështu Ai i thotë atyre, “Tani, prehuni duke pritur atë Shabat të përjetshëm që kam përgatitur për ju.” Le të mos tmerrohemi prej moshës së thyer. Le të plakemi hirshëm përderisa Vetë Zoti është me ne në plotësi hiri.
30 dhjetor (Të dashur në përkryerje)
“Duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.”
{Gjoni 13 :1}
Ky fakt është në thelb një premtim, sepse ajo çfarë ishte Zoti ynë Ai është dhe ajo çfarë ishte për ata me të cilët jetoi në tokë, Ai do të jetë për të gjithë të dashurit e Tij për aq gjatë sa do të zgjasë hëna. “Duke i dashur”; këtu ishte mrekullia! Mrekullia është në faktin se Ai i do njerëzit. Çfarë kishte vallë në dishepujt e Tij të varfër që t’i donte ata? Çfarë ka vallë në mua?
Por kur Ai ka filluar një herë të dojë, është natyra e Tij të vazhdojë të bëjë ashtu. Dashuria i bëri shenjtorët “të vetët”; çfarë titulli i zgjedhur! Ai i bleu me gjak dhe ata u bënë thesari i Tij. Duke qenë të vetët Ai nuk do t’i humbasë. Duke qenë të dashurit e Tij, Ai nuk do të reshtë t’i dojë. Teksti e thotë mirë: “deri në fund,” deri në vdekjen e Tij, pasioni sundues i dashurisë së Tij për të vetët mbretëroi në kraharorin e Tij të shenjtë. Do të thotë gjithashtu në maksimum. Ai nuk mund t’i donte më shumë se aq; Ai dha Veten e Tij për ta. Disa e lexojnë në përkryerje. Me të vërtetë që Ai dha pa kursim për ta një dashuri të përkryer ku nuk kishte asnjë të metë, asnjë lëshim, asnjë paurtësi, asnjë pabesi dhe asnjë rezervë. E tillë është dashuria e Jezusit për secilin prej njerëzve të Tij. Le t’i këndojmë një këngë Shumëtëdashurit tonë.
31 dhjetor (Jo të huaj në parajsë)
“Ti do të më udhëheqësh me këshillën Tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.”
{Psalmi 73 :24}
Nga dita në ditë dhe nga viti në vit besimi im beson në urtësinë dhe dashurinë e Perëndisë dhe e di se nuk do të besoj më kot. Asnjë fjalë e mirë e Tij nuk ka dështuar ndonjëherë dhe jam i sigurtë se asnjë nuk do të bjerë kurrë përtokë. E vë veten time në duart e Tij për udhëheqje. Nuk e di rrugën që duhet të zgjedh; Zoti do të zgjedhë trashëgiminë time për mua. Kam nevojë për këshillë dhe mendim, sepse detyrat e mia janë të ndërlikuara dhe gjendja ime është e vështirë. I drejtohem Zotit po ashtu si Kryeprifti në të kaluarën i drejtohej Urim-it dhe Thumim-it. Parapëlqej të kërkoj këshillën e Perëndisë të pagabueshëm në krahasim me vetë gjykimin tim ose këshillën e miqve.
Jehovah i lavdishëm, Ti do të më udhëheqësh! Shpejt do të vijë fundi; edhe ca vite dhe do të duhet të largohem prej kësaj bote për te Ati. Zoti im do të jetë afër shtratit tim. Ai do të më takojë në portën e parajsës; Ai do të më mirëpresë në tokën e lavdisë. Nuk do të jem një i huaj në qiell; vetë Perëndia dhe Ati im do të më pranojë në lumninë e Tij të pafund. Lavdi i qoftë Atij që do të më udhëheqë këtu poshtë dhe që do të më çojë pastaj në lavdi. Amen!