1 gusht (Besëlidhja prek fëmijët)
“Dhe do të caktoj besëlidhjen Time midis Meje dhe teje,si dhe me pasardhësit e tu,nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, të cilën Unë do të marr përsipër.”
{#Zanafilla 17 :7}
O Zot, Ti ke bërë një besëlidhje me mua, shërbëtorin tënd, në Krishtin Jezus Zotin tim; dhe tani, të përgjërohem, le të përfshihen fëmijët e mi në përmbajtjen e saj të hirshme. Më lejo të besoj këtë premtim si i bërë për mua po ashtu si edhe Abrahamit. E di se fëmijët e mi janë lindur në mëkat dhe formuar në padrejtësi po ashtu si ata të njerëzve të tjerë; prandaj, nuk kërkoj asgjë duke u bazuar në prejardhjen e tyre, sepse e di mirë se “ajo që është lindur prej mishit është mish,” dhe asgjë më shumë. Zot, bëj që të lindin nën besëlidhjen e hirit me anë të Frymës Tënde të Shenjtë!
Lutem për pasardhësit e mi përmes gjithë brezave. Ji Perëndia i tyre ashtu si ishe i imi. Nderi im është se më ke lejuar të të shërbej; pasardhja ime të shërbeftë në të gjitha vitet e ardhshme. O Perëndi i Abrahamit, ji Perëndia i Isakut të tij! O Perëndi i Anës, prano Samuelin e saj! Nëse, Zot, më ke favorizuar në familjen time, të lutem të kujtosh familje të tjera të njerëzve të Tu që kanë mbetur të pabekuara. Ji Perëndia i të gjitha familjeve të Izraelit. Asnjë prej atyre që kanë frikë emrin Tënd le të mos mundohet për shkak të një familje të papërshpirtshme dhe të ligë, për hir të Birit Tënd Jezus. Amen.
2 gusht (Fol atë që Ai mëson)
“Dhe tani shko, Unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash.”
{#Eksodi 4 :12}
Shumë shërbëtorë të vërtetë të Zotit janë të ngathët në fjalë dhe kur thirren të dalin në mbrojtje të një çështje për Zotin e tyre, janë në hutim të madh nga frika se mos prishin një çështje të mirë me anë të mbrojtjes së tyre të keqe. Në një rast të tillë është mirë të kujtosh se është Zoti që bëri atë gjuhë aq të ngathët dhe duhet të kemi kujdes se mos bëjmë me faj Krijuesin tonë për këtë gjë. Ndoshta një gjuhë e ngathët nuk është dhe një e ligë aq e madhe sa një gjuhë e shpejtë dhe pakica e fjalëve mund të ketë më bekim se sa përrenj llomotitjesh.
Është gjithashtu po aq e sigurtë se fuqia e vërtetë shpëtuese nuk qëndron në retorikën njerëzore, me metaforat e saj, fjalitë e bukura dhe shfaqjet e mëdha. Mungesa e rrjedhshmërisë nuk është një mungesë dhe aq e madhe sa duket. Nëse Perëndia është me gojën tonë dhe me mendjen tonë, do të kemi diçka më shumë se një bronz që kumbon dhe cimbali që tingëllon. Mësimi i Perëndisë është urtësi; prania e Tij është fuqi. Faraoni pati më shumë arsye për të pasur frikë prej Moisiut belbëzues se prej folësit më të rrjedhshëm në Egjipt, sepse ajo çfarë ai tha pati fuqi përbrenda; ai foli për murtajë dhe vdekje. Nëse Zoti është me ne në dobësinë tonë të natyrshme, ne do të jemi të ngjeshur me fuqi të mbinatyrshme. Prandaj, le të flasim për Jezusin me guxim ashtu si duhet që të flasim.
3 gusht (E drejta për gjërat e shenjta)
“Por në rast se prifti blen një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij.”
{#Levitiku 22 :11}
Të huajt, udhëtarët dhe shërbyesit nuk kishin për të ngrënë gjërat e shenjta. Kështu është akoma në gjërat shpirtërore. Mirëpo dy kategori njerëzish ishin të lirë të hanin në tryezën e shenjtë, ata që ishin blerë me parat e priftit dhe ata që ishin lindur në shtëpinë e priftit. Të blerë dhe të lindur, këto ishin dy provat e padiskutueshme për të drejtën për gjërat e shenjta.
Të blerë. Kryeprifti ynë i madh ka blerë me një çmim të gjithë ata që vënë besimin e tyre në Të. Ata janë pronësia e Tij absolute—tërësisht të Zotit. Jo për atë çfarë janë në vetvete, por për hir të pronarit të tyre, ata janë të pranuar në të njëjtat privilegje që Ai vetë gëzon dhe ata do të “hanë nga ushqimi i Tij.” Ai ka një ushqim që njerëzit e botës nuk e njohin. “Ngaqë ju jeni të Krishtit,” do të keni pjesë me Zotin tuaj. Të lindur. Kjo është një rrugë po aq e sigurtë për privilegjin; nëse jemi lindur në shtëpinë e priftit ne zëmë vendin tonë me pjesën tjetër të familjes. Ripërtëritja na bën bashkë-trashëgimtarë dhe të të njëjtit trup; dhe prandaj, paqja, gëzimi dhe lavdia që Ati i ka dhënë Krishtit, Krishti na i ka dhënë neve. Shpëtimi dhe ripërtëritja na kanë dhënë një pretendim të dyfishtë ndaj lejes hyjnore të këtij premtimi.
4 gusht (Ai bekon dhe ruan)
“Zoti të të bekojë dhe të të ruajë.”
{#Numrat 6:24}
Kjo fjali e parë e uratës së kryepriftit është në thelb një premtim. Ai bekim që Kryeprifti ynë shpall ndaj nesh është i sigurtë se do të vijë, sepse Ai flet sipas Perëndisë. Çfarë gëzimi të qëndrosh nën bekimin hyjnor! Kjo vë një aromë të hirshme në çdo gjë. Nëse jemi të bekuar, atëherë të gjitha zotërimet dhe gëzimet tona janë të bekuara; po, humbjet dhe kryqet tona dhe madje edhe zhgënjimet tona janë të bekuara. Bekimi i Perëndisë është i thellë, i fuqishëm, i efektshëm. Bekimi i një njeriu mund të fillojë dhe të përfundojë me fjalë, por bekimi i Zotit pasuron dhe shenjtëron.
Urimi më i mirë që mund të kemi për miqtë tanë më të shtrenjtë nuk është “Paç begati,” por “Zoti të bekoftë.” Është po ashtu një gjë e mrekullueshme të ruhesh prej Perëndisë, i ruajtur prej Tij, i ruajtur afër Tij, i ruajtur në Të. Ata që Perëndia ruan janë të ruajtur me të vërtetë; ata janë të siguruar prej të ligës, janë të ruajtur për lumturi të pakufishme. Ruajtja e Perëndisë shoqërohet me bekimin e Tij, për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm. Autori i këtij libri të vogël dëshiron që bekimi i pasur dhe ruajtja e sigurtë të shpallura këtu të mund të vijnë mbi çdo lexues që në këtë çast mund të jetë duke i hedhur një sy këtyre rreshtave. Ju lutem hukatjani tekstin Perëndisë si një lutje për shërbëtorët e Tij.
5 gusht (Ligji në zemër)
“Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.”
{#Psalmi 37:31}
Vendos ligjin në zemër dhe i gjithë njeriu është i drejtë. Aty duhet që të jetë ligji, sepse atëherë qëndron, ashtu si pllakat e gurit në arkë, në vendin e caktuar për të. Në kokë ai na mundon, mbi kurriz peshon, në zemër mbështet. Çfarë fjale e zgjedhur që është përdorur këtu, “Ligji i Perëndisë së tij”! Kur ne e njohim Zotin si vetë Perëndinë tonë, ligji i Tij bëhet liri për ne. Perëndia me ne në besëlidhje na bën të zellshëm t’i bindemi vullnetit të Tij dhe të ecim sipas urdhërimeve të Tij.
A është një parim, parimi i Atit tim? Atëherë unë gjej ëndje në të. Ne jemi këtu të garantuar se njeriu zemërbindur do të mbështetet në çdo hap që ndërmerr. Ai do të bëjë atë që është e drejtë dhe prandaj do të kryejë atë që është e urtë. Veprimi i shenjtë është përherë më i kujdesshmi, edhe pse në moment mund të mos duket ashtu. Ne jemi duke ecur përgjatë udhës së madhe mbretërore të providencës dhe hirit të Perëndisë kur ecim sipas rrugës së ligjit të Tij. Fjala e Perëndisë deri tani nuk ka çuar në rrugë të gabuar asnjë shpirt; udhëzimet e saj për të ecur përulësisht, drejtësisht, dashamirësisht dhe në frikën e Zotit, janë po aq fjalë urtësie për ta bërë rrugën tonë të begatshme sa edhe rregulla shenjtërie për të ruajtur rrobat tona të pastra. Ecën i sigurtë ai që ecën me drejtësi.
6 gusht (Shko, zotëro pronën tënde)
“Ja, Zoti, Perëndia ynë,e ka vënë vendin para teje,ngjitu dhe shtire në dorë,ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu; mos ki frikë dhe mos u ligështo.”
{#Ligji i përtërirë 1:21}
Ka një trashëgimi hiri për të cilën ne duhet të jemi mjaft të guximshëm për ta fituar për vetë zotërimin tonë. Gjithçka që një besimtar ka fituar është falas për një tjetër. Ne mund të jemi të fortë në besim, të zjarrtë në dashuri dhe të bollshëm në mund; nuk ka asgjë për të parandaluar këtë; le të ngjitemi dhe ta shtiem në dorë. Përvojat më të ëmbla dhe hiri më i shkëlqyeshëm janë po aq për ne sa për secilin prej vëllezërve tanë. Jehovai e ka vendosur këtë para nesh; askush nuk mund të na mohojë të drejtën tonë; le të ngjitemi dhe ta zotërojmë atë në emrin e Tij.
Bota gjithashtu qëndron përpara nesh për t’u zotëruar për Zotin Jezus. Ne nuk kemi për të lënë asnjë vend ose cep të saj të panënshtruar. Ajo rrugicë e fëlliqur afër shtëpisë sonë është përpara nesh, jo për të prishur përpjekjet tona, por për t’iu dhënë atyre. Ne kemi vetëm për të marrë zemër mjaftueshëm për të shkuar përpara dhe do të fitojmë për Jezusin shtëpi të errëta dhe zemra të ngurta. Le të mos lëmë kurrë njerëzit në një rrugicë ose rruginë të humbasin ngaqë nuk kemi besim të mjaftueshëm në Jezus dhe ungjillin e Tij për t’u ngjitur dhe zotëruar tokën. Asnjë vend nuk është tepër i paarritshëm, asnjë njeri nuk është aq profan sa të jetë përtej fuqisë së hirit. Burracakëri, ik tutje! Besimi marshon për të fituar.
7 gusht (Rregulla për begati)
“Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh sipas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im,të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.”
{#Jozueu 1:7}
Po, Zoti do të jetë me ne në luftën tonë të shenjtë, por Ai na kërkon që të ndjekim rreptësisht rregullat e Tij. Fitoret tona do të varen shumë prej bindjes sonë ndaj Tij me gjithë zemrën tonë, duke shtjerë forcë dhe kurajë në veprimet e besimit tonë. Nëse jemi me gjysmë zemër nuk mund të presim më shumë se një gjysmë bekimi. Ne duhet t’i bindemi Zotit me kujdes dhe maturi. “Duke u përpjekur të veprosh” është fjala e përdorur dhe është plot me domethënie. Kjo i referohet çdo pjese të vullnetit hyjnor; ne duhet të bindemi me gatishmëri universale.
Rregulla jonë e sjelljes është “sipas tërë ligjit.” Ne nuk mund të bëjmë naze, por duhet t’i marrim urdhërimet e Zotit ashtu si vijnë, një nga një dhe të gjithë. Në gjithë këtë ne duhet të vazhdojmë me përpikmëri dhe vijueshmëri. Marshimi ynë duhet të jetë pa dredha, pa u shmangur as djathtas dhe as majtas. Ne nuk duhet të hallakatemi duke qenë më të rreptë se ligji as të kthehemi, për shkak të paqëndrueshmërisë, në një rrugë më të gjerë e më të lehtë. Me një bindje të tillë do të vijë mbrothësi shpirtërore. O Zot, na ndihmo ta përjetojmë këtë gjë! Ne nuk do ta provojmë premtimin tënd më kot.
8 gusht (Mirëbesim i duhur)
“Zoti, Zoti më ka ndihmuar.”
{#Isaia 50:7}
Këto janë në profeci fjalët e Mesias në ditën e bindjes së Tij deri në vdekje, kur Ai ia dorëzoi kurrizin goditësve dhe faqet e Tij atyre që i shkulën flokët. Ai ishte besimplotë në mbështetjen hyjnore dhe i mirëbesoi Jehovait. O shpirti im, pikëllimet e tua janë si pluhuri i paktë i pjatës së peshores i krahasuar me ato të Zotit tënd! A nuk mund të besosh vallë se Zoti Perëndi do të të ndihmojë? Zoti yt ishte në pozicion të veçantë, sepse si përfaqësuesi i njerëzve mëkatarë—zëvendësuesi dhe flijimi i tyre—ishte e nevojshme që Ati ta linte dhe ta bënte të ndjente braktisje shpirti.
Asnjë gjë e tillë nuk kërkohet nga ty; nuk je i shtrënguar të klithësh, “Përse më ke braktisur?” A u mbështet Shpëtimtari në një rast të tillë te Perëndia dhe ti nuk mundesh? Ai vdiq për ty dhe kështu e bëri të pamundur që të lihesh vetëm; prandaj merr zemër. Në mundimet dhe sprovat e kësaj dite thuaj, “Zoti, Zoti do të më ndihmojë.” Shko përpara me guxim. Bëje fytyrën si një strall dhe merr vendimin se asnjë plogështi ose turp nuk do të vijë afër teje. Nëse Perëndia ndihmon, kush mund të pengojë? Nëse je i sigurtë për ndihmën e plotfuqishme, çfarë mund të jetë shumë e rëndë për ty? Fillo ditën me gëzim dhe asnjë hije dyshimi të mos vijë mes teje dhe dritës së përjetshme të diellit.
9 gusht (Krasitje për frytdhënie)
“Çdo shermend që nuk jep fryt në Mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.”
{#Gjoni 15:2}
Ky është një premtim i çmuar për dikë që jeton për të dhënë fryte. Në pamje të parë duket i ashpër. A duhet që dega e frytshme të krasitet? A duhet që thika të presë edhe më të mirin dhe më të dobishmin? Pa dyshim që kështu është, sepse shumë prej punës krasitëse të Zotit tonë kryhet nëpërmjet pikëllimeve të shumëllojshme. Nuk është i ligu, por i miri që ka premtimin e vuajtjes në këtë jetë. Mirëpo në fund, pavarësisht natyrën e dhimbshme të mënyrave të përdorura, korren ndreqje të plota. Nëse mund të japim më shumë fryte për Zotin tonë, nuk do të pyesim për krasitjen dhe humbjen e gjetheve.
Po ashtu, krasitja ndonjëherë është e kryer prej Fjalës pa asnjë sprovë dhe kjo heq tutje çfarë do që dukej e athët në shijen e premtimit. Ne do të bëhemi nëpërmjet Fjalës më të hirshëm dhe më të dobishëm. Zoti që na ka bërë, në një farë mase, frytmbajtës, do të veprojë te ne derisa të arrijmë një shkallë më të madhe pjellorie. A nuk është kjo një gëzim i madh? Me të vërtetë që ka më shumë ngushëllim në një premtim të frytdhënies se sa sikur të na ishin siguruar pasuri, ose shëndet, ose nder. Zoti Jezus, përmbush shpejt fjalën Tënde të hirshme ndaj meje dhe më bëj të jap fryt me bollëk për lëvdimin Tënd!
10 gusht (Ai poshtëron për të lartësuar)
“Zoti të varfëron dhe të pasuron, Ai të poshtëron dhe Ai të lartëson.”
{#1 Samueli 2:7}
Të gjitha ndryshimet e mia vijnë prej Atij që nuk ndryshon kurrë. Nëse jam pasuruar, duhet të kem parë dorën e Tij në këtë gjë dhe duhet ta kem lëvduar; po ashtu le të shikoj dorën e Tij nëse jam varfëruar dhe le ta lavdëroj Atë po me aq zemër. Kur ulemi poshtë në botë, kjo vjen prej Zotit dhe kështu që ne mund ta pranojmë me durim; kur ngrihemi në botë, kjo vjen prej Zotit dhe mund ta pranojmë atë me falënderim. Në çdo rast, Zoti e ka bërë dhe është mirë.
Duket se mënyra e Jehovait është të ulë poshtë ata që ka ndërmend të ngrejë dhe të zhveshë ata që ka ndërmend të veshë. Nëse është mënyra e Tij, atëherë është mënyra më e urtë dhe më e mirë. Nëse tani po duroj uljen time poshtë mund të gëzohem me të vërtetë, sepse shikoj në të prologun e ngritjes lart. Aq më shumë përulemi prej hirit aq më shumë do të lartësohemi në lavdi. Varfërimi që vjen për pasurinë tonë është për t’u mirëpritur. O Zot, t’i më ke ulur poshtë kohët e fundit dhe më ke bërë të ndjej padenjësinë time dhe mëkatin tim. Nuk është një përvojë e këndshme, por të lutem që ta bësh të dobishme për mua. Oh, sikur të më përgatitësh për të mbajtur një peshë më të madhe ëndjeje dhe dobie; dhe kur të jem gati për të, atëherë ma jep, për hir të Krishtit! Amen.
11 gusht (Duke gjetur prehje dhe jo duke nxituar)
“Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga Ai vjen shpëtimi im.”
{#Psalmi 62:1}
Qëndrim i bekuar!—duke u prehur me të vërtetë dhe vetëm te Zoti. Qoftë kjo gjendja jonë gjatë gjithë kësaj dite dhe çdo ditë. Duke gjetur prehje në kohën e Tij, duke gjetur prehje në shërbimin e Tij, duke gjetur prehje me pritje të hareshme, duke gjetur prehje në lutje dhe duke qenë të kënaqur në të njëjtën kohë. Kur vetë shpirti prehet kështu, është gjendja më e mirë dhe më e vërtetë e një krijese përpara Krijuesit të Tij, e një shërbëtori përpara të zotit të tij, e një fëmije përpara Atit të tij.
Ne nuk lejojmë diktat ndaj Perëndisë, as ankim ndaj Tij; nuk do të lejojmë asnjë padurim ose mosbesim. Në të njëjtën kohë, ne nuk nxitojmë me vrap përpara resë dhe nuk e kërkojmë ndihmën te të tjerët; asnjëra nga këto nuk do të ishte të gjesh prehje te Perëndia. Perëndia dhe Perëndia vetëm është pritja e zemrave tona.
Siguri e bekuar!—prej Tij shpëtimi është duke ardhur; është në rrugë e sipër. Do të vijë prej Tij dhe prej askujt tjetër. Ai do të ketë të gjithë lavdinë e Tij, sepse Ai vetëm mund dhe do ta kryejë atë. Dhe Ai do ta kryejë me shumë siguri në vetë kohën e Tij dhe sipas mënyrës së Tij. Ai do të na shpëtojë prej dyshimit, vuajtjes, shpifjes dhe pikëllimit. Edhe pse nuk shikojmë asnjë shenjë të kësaj deri tani, ne jemi të kënaqur të presim vullnetin e Zotit, sepse nuk dyshojmë dashurinë dhe besnikërinë e Tij. Ai do ta sigurojë këtë së shpejti dhe ne do ta lavdërojmë Atë menjëherë për mëshirën e ardhshme.
12 gusht (Dritë në errësirë)
“Po, Ti je drita ime, O Zot; Zoti ndriçon terrin tim.”
{#2 Samueli 22 :29}
A jam në dritë? Atëherë Ti, o Zot, je drita ime. Largohu dhe gëzimi im do të shkonte tutje; po për aq gjatë sa Ti je me mua, mund t’ia dal pa pishtarët e kohës dhe pa qirinjtë e lehtësirave të sajuara. Çfarë drite që hedh prania e Perëndisë mbi të gjitha gjërat! Kemi dëgjuar për një far që mund të shikohej prej njëzet miljesh, por Jehovai ynë nuk është vetëm një Perëndi nga afër, por Ai shikohet nga shumë larg, madje edhe në vendin e armikut. O Zot, jam po aq i lumtur sa një engjëll kur dashuria jote mbush zemrën time. Ti je e gjithë dëshira ime.
A jam në errësirë? Atëherë Ti, O Zot, do të ndriçosh terrin tim. Së shpejti gjërat do të ndryshojnë. Punët mund të bëhen gjithnjë e më shumë të zymta dhe mund të ketë re mbi re, por nëse bëhet aq errët sa nuk mund të shoh as vetë dorën time, prapëseprapë mund të shoh dorën e Zotit. Kur nuk mund të gjej një dritë përbrenda meje, ose mes miqve të mi, ose në gjithë botën, Zoti, që tha “U bëftë drita,” dhe drita u bë, mund të thotë të njëjtën gjë përsëri. Ai do të më flasë sërish nën rrezet e diellit. Nuk do të vdes, por do të jetoj. Dita po lind tashmë. Ky tekst i ëmbël ndriçon si ylli i mëngjesit. Do të përplas duart nga gëzimi që tani.
13 gusht (Përpara dhe gjatë thirrjes)
“Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, Unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe Unë do t’ua plotësoj.”
{#Isaia 65 :24}
Punë e shpejtë kjo! Zoti na dëgjon përpara se thërrasim dhe shpesh na përgjigjet në të njëjtën mënyrë të shpejtë. Duke parashikuar nevojat tona, lutjet tona, Ai rregullon në mënyrë të tillë providencën sa përpara se nevoja të lindë Ai e ka plotësuar atë, përpara se sprova të na mësyjë, Ai na ka armatosur kundra saj. Kjo është gatishmëria e gjithëdijes dhe e kemi parë shpesh atë të ushtruar. Përpara se të ëndërronim për pikëllimin që ishte duke ardhur, ngushëllimi i fortë që kishte për të na mbështetur në të pati mbërritur. Çfarë Perëndie lutje-përmbushës që kemi!
Fjalia e dytë sugjeron telefonin. Edhe pse Perëndia është në qiell dhe ne mbi tokë, prapëseprapë Ai e bën fjalën tonë, ashtu si vetë fjalën e Tij, të udhëtojë shumë shpejt. Kur lutemi drejt, ne dëgjohemi prej veshit të Perëndisë. Ndërmjetësi ynë i hirshëm paraqet peticionet tona menjëherë dhe Ati i madh i dëgjon ato dhe i buzëqesh atyre. Lutje e madhe kjo! Kush nuk do të ishte shumë në lutje kur di se dëgjohet prej Mbretit të mbretërve? Këtë ditë do të lutem me besim, jo vetëm duke besuar se do të dëgjohem, por se dëgjohem; jo vetëm se do të marr përgjigje, por se e kam tashmë përgjigjen. Frymë e Shenjtë, më ndihmo në këtë!
14 gusht (Ndreqja e fëmijës jo e përhershme)
“Për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo për gjithnjë.”
{#1 Mbretërve 11 :39}
Në familjen e hirit ka disiplinë dhe kjo disiplinë është mjaftueshëm e ashpër sa ta bëjë mëkatin një gjë të ligë dhe të hidhur. Solomoni, i larguar nga udha prej grave të tij të huaja, pati ngritur zotë të tjerë dhe e provokoi rëndë Perëndinë e atit të tij; prandaj, dhjetë pjesë nga dymbëdhjetë të mbretërisë u shkëputën dhe u ngritën si shtet rival. Ky ishte një pikëllim i madh për shtëpinë e Davidit dhe erdhi dallueshëm mbi atë dinasti prej dorës së Perëndisë si rezultat i sjelljes së pashenjtë. Zoti do të ndreqë shërbëtorët e Tij më të dashur nëse ata reshtin t’i binden plotësisht ligjit të Tij: ndoshta pikërisht këtë orë ajo ndreqje është mbi ne.
Le të klithim përulësisht, “O Zot, bëmë të ditur pse grindesh me mua.” Çfarë fjalie e ëmbël shpëtuese që është kjo—”por jo për gjithnjë”! Dënimi i mëkatit është i përjetshëm, por ndreqja atërore e tij ndaj një fëmije të Perëndisë nuk është veçse për një periudhë. Sëmundja, varfëria, depresioni i frymës, do të kalojnë tutje kur ato kanë prodhuar efektin e tyre të synuar. Kujto se ne nuk jemi nën ligj, por nën hir. Fshikulla mund të na lëndojë, por ama shpata nuk do të na bëjë që të vdesim. Brenga jonë e tanishme ka për qëllim të na sjellë në pendim që të mos mund të shkatërrohemi bashkë me të ligun.
15 gusht (Një emër garant)
“Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin Tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.”
{#Gjoni 14 :13}
Jo çdo besimtar ka mësuar të lutet në emër të Krishtit. Të kërkosh jo vetëm për hir të Tij, por në emrin e Tij, ashtu si është e autorizuar prej Tij, është një lutje e një rangu të lartë. Ne nuk do të guxonim të kërkonim disa gjëra në atë emër të bekuar, sepse do të ishte një sakrilegj i poshtër, por kur peticioni është kaq qartë i drejtë sa ne guxojmë t’i vendosim emrin e Jezusit, atëherë duhet që të plotësohet.
Lutja është akoma më e sigurtë të ketë sukses ngaqë është për lavdinë e Atit përmes Birit. Ajo lavdëron të vërtetën e Tij, besnikërinë e Tij, pushtetin e Tij, hirin e Tij. Plotësimi i lutjes, kur e paraqitur në emër të Jezusit, zbulon dashurinë e Atit për Të dhe nderin që Ai ka vënë mbi Të. Lavdia e Jezusit dhe e Atit janë kaq të lidhur bashkë sa hiri që madhëron njërin madhëron tjetrin. Kanali bëhet i mrekullueshëm përmes plotësisë së burimit dhe burimi nderohet përmes kanalit ku rrjedh. Nëse përgjigjja e lutjeve tona do të çnderonte Zotin tonë, nuk duhet që të lutemi, por kur në një gjë Ai është i lavdëruar, ne do të lutemi pa pushim në atë emër të shtrenjtë në të cilin Perëndia dhe populli i Tij kanë një shoqërim ëndjeje.
16 gusht (Nxirr në dritë dhe rrëfe mëkatin)
“Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.”
{#Fjalët e urta 28 :13}
Këtu është rruga e mëshirës për një mëkatar fajtor dhe që pendohet. Ai duhet të reshtë prej zakonit të fshehjes së mëkatit. Njeriu provon ta fshehë mëkatin me anë të gënjeshtrës, që mohon mëkatin; me anë të hipokrizisë që e fsheh atë; me anë të mburrjes që e justifikon atë dhe me anë të pretendimit me zë të lartë që përpiqet ta ndreqë atë. Puna e mëkatarit është të rrëfejë dhe të braktisë. Të dyja duhet që të jenë bashkë. Rrëfimi duhet t’i bëhet me ndershmëri Vetë Zotit dhe duhet që të përfshijë përbrenda pohimin e gabimit, ndijimin e ligësisë së tij dhe neverinë ndaj tij.
Ne nuk duhet t’ia hedhim fajin të tjerëve, as rrethanave as të nxjerrim si justifikim dobësinë natyrore. Ne duhet ta hapim zemrën dhe ta pranojmë veten fajtor përpara akuzës. Nuk mund të ketë mëshirë derisa kjo të bëhet. Akoma më tej, ne duhet të braktisim të ligën; duke pasur pranuar fajin tonë, duhet që të hedhim poshtë çdo synim të tanishëm dhe të ardhshëm për të qëndruar në të. Ne nuk mund të mbesim në rebelim dhe prapëseprapë të qëndrojmë me Madhështinë e Mbretit. Zakoni i të ligës duhet të lihet, bashkë me gjithë vendet, miqtë, dëfrimet dhe librat që mund të na nxjerrin nga udha. As nëpërmjet rrëfimit, as nëpërmjet reformimit, por bashkë me to, ne gjejmë falje nëpërmjet besimit në gjakun e Jezusit.
17 gusht (Kush e ka shumicën?)
“Ai u përgjigj: “Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.”
{#2 Mbretërve 6 :16}
Kuaj dhe qerre dhe një ushtri e madhe rrethuan profetin në Dothan. Shërbëtori i tij i ri u alarmua. Si mund të shpëtonin vallë prej një mizërie të tillë njerëzish të armatosur? Mirëpo profeti pati sy që shërbëtori i tij nuk i kishte dhe ai mund të shikonte një ushtri më të madhe, me armë shumë më supreme duke e ruajtur nga çdo dëm. Kuajt prej zjarri janë më të fuqishëm se kuajt prej mishi dhe qerret prej zjarri janë shumë më mirë për ne sesa qerret prej hekuri.
Po ashtu është edhe në këtë orë. Kundërshtarët e të vërtetës janë të shumtë, me ndikim, të mësuar dhe dinakë; dhe e vërteta gjendet keq në duart e tyre; dhe prapëseprapë njeriu i Perëndisë nuk ka shkak për t’u dridhur. Agjentë veprues, të dukshëm dhe të padukshëm, të llojit më të fuqishëm, janë në anën e drejtësisë. Perëndia ka në pritë ushtri që do të shfaqen në orën e nevojës. Forcat që janë në anën e të mirës dhe të vërtetës ku e ku ia kalojnë fuqive të së ligës. Prandaj le të mbajmë frymët tona lart dhe të ecim me të ecurin e burrave që zotërojnë një sekret ngushëllues që i ka ngritur mbi çdo frikë. Ne jemi në anën e fituesve. Beteja mund të jetë e rreptë, por ne e dimë se si do të përfundojë. Besimi, duke pasur Perëndinë me vete, është në shumicë absolute: “ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.”
18 gusht (Kërkuesit, gjetësit)
“Në rast se ti e kërkon, Ai do të të lërë ta gjesh.”
{#1 Kronika 28 :9}
Ne kemi nevojë për Perëndinë tonë! Ai do të gjendet nëse e kërkojmë dhe Ai nuk do t’ia mohojë veten asnjërit nga ne nëse personalisht kërkojmë fytyrën e Tij. Nuk shkruhet në rast se ti e meriton, ose blen favorin e Tij, por thjesht në rast se “e kërkon.” Ata që tashmë e njohin Zotin duhet të vazhdojnë të kërkojnë fytyrën e Tij me anë të lutjes, me anë të shërbimit të zellshëm dhe me anë të mirënjohjes së shenjtë; ndaj të tillëve Ai nuk do ta refuzojë favorin dhe shoqërinë e Tij. Ata që deri tani, nuk e kanë njohur Atë për prehjen e shpirtrave të tyre, duhet që të fillojnë menjëherë kërkimin dhe të mos reshtin kurrë derisa ta gjejnë Atë si Shpëtimtarin e tyre, Mikun e Tyre, Atin e tyre dhe Perëndinë e tyre.
Çfarë sigurie të fortë që ky premtim i jep kërkuesit! “Ai që kërkon gjen.” Ti, po, ti, nëse kërkon Perëndinë tënd, do ta gjesh Atë. Kur e gjen atë ke gjetur jetë, falje, shenjtërim, ruajtje dhe lavdi. A nuk do të kërkosh dhe të vazhdosh të kërkosh përderisa nuk do të kërkosh më kot? Mik i shtrenjtë, kërko Zotin menjëherë. Këtu është vendi dhe tani është koha. Përkul gjurin e fortë; po, përkul atë qafë akoma më të fortë dhe kërko me klithma Perëndinë, Perëndinë e gjallë. Në emër të Jezusit kërko pastrim dhe justifikim. Nuk do të refuzohesh. Këtu është dëshmia e Davidit ndaj birit të tij Solomonit dhe është dëshmia vetjake e shkrimtarit ndaj lexuesit. Besoje dhe vepro, për hir të Krishtit.
19 gusht (Shpërblim për të drejtin)
“Dhe njerëzia do të thotë: “Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë.”
{#Psalmi 58 :11}
Gjykimet e Perëndisë në këtë jetë nuk shihen gjithnjë qartë, sepse në shumë raste e njëjta ngjarje i ndodh të gjithëve. Kjo është gjendja e vënies në provë dhe jo e dënimit ose e shpërblimit. Prapëseprapë herë pas here Perëndia kryen gjëra të tmerrshme në drejtësi dhe madje edhe të pavëmendshmit janë të shtrënguar të njohin dorën e Tij. Edhe në këtë jetë drejtësia ka atë lloj shpërblimi që e preferon mbi çdo shpërblim tjetër, domethënë buzëqeshjen e Perëndisë që krijon një ndërgjegje të qetë. Ndonjëherë të tjera shpërblime vijnë më pas, sepse Perëndia nuk do t’i jetë borxhli asnjë njeriu. Por, në të njëjtën kohë, shpërblimi kryesor i të drejtit qëndron në jetën e ardhshme.
Ndërkohë, në një masë të madhe, ne vëmë re praninë e Sunduesit të madh mes kombeve. Ai thyen copa copa frone shtypës dhe dënon popuj fajtorë. Asnjë nuk mund të studiojë historinë e ngritjes dhe rënies së perandorive pa dalluar se ka një fuqi që ngjall drejtësinë dhe në fund sjell paudhësinë përpara bankës së drejtësisë dhe e dënon me drejtësi të pakursyer. Mëkati nuk do të kalojë i padënuar dhe mirësia nuk do të qëndrojë e pashpërblyer. Gjykatësi i të gjithë tokës duhet të veprojë drejt. Prandaj le të druajmë përpara Atij dhe të mos tmerrohemi më prej fuqisë së të ligut.
20 gusht (Çlirim i pakufishëm)
“Nga gjashtë fatkeqësi Ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.”
{#Jobi 5 :19}
Elifazi, në këtë foli të vërtetën e Perëndisë. Ne mund të kemi po aq telashe sa ditët e punës të javës, por Perëndia që punon në ato gjashtë ditë do të punojë për ne derisa shpërblimi ynë të jetë i plotë. Ne do të prehemi me Të dhe në Të gjatë Shabatit tonë. Vazhdueshmëria e shpejtë e sprovave është një prej testeve më të rëndë të besimit. Përpara se ta kemi marrë veten prej një goditjeje, kjo ndiqet prej një tjetre dhe një tjetre derisa na merren këmbët. Prapëseprapë vazhdimësia po aq e shpejtë e çlirimeve është tepër ngazëlluese. Këngë të reja tingëllojnë mbi kudhrën prej çekiçit të pikëllimit, derisa në botën shpirtërore të dëgjojmë melodinë më të mrekullueshme.
Mirëbesimi ynë është se kur Zoti i bën sprovat tona gjashtë, ato do të jenë gjashtë dhe jo më shumë. Ndoshta ne nuk kemi ditë-prehje, sepse shtatë telashe vijnë mbi ne. Si i bëhet atëherë? “Në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.” E keqja mund të vrumbullojë ndaj nesh, por ama nuk do të lejohet që të na prekë. Fryma e saj e nxehtë mund të na pikëllojë, por gishti i saj i vogël nuk mund të vendoset mbi ne. Me ije të ngjeshura ne do t’i bëjmë ballë të gjashta ose të shtata telasheve dhe do t’ia lëmë frikën atyre që nuk kanë as At, as Shpëtimtar dhe as Shenjtërues.
21 gusht (Natë qarje; ditë gëzimi)
“Sepse zemërimi i Tij mban vetëm një çast, por mirësia e Tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.”
{#Psalmi 30 :5}
Një çast nën zemërimin e Atit tonë duket shumë i gjatë dhe prapëseprapë fundi i fundit nuk është veçse një çast. Nëse e trishtojmë Frymën e Tij nuk mund të kërkojmë dot buzëqeshjen e Tij, por Ai është një Perëndi gati të falë dhe shpejt vë mënjanë çdo kujtesë të fajeve tona. Kur mekemi dhe jemi gati të vdesim për shkak të vrenjtjes së Tij, favori i Tij vë jetë të re përbrenda nesh. Ky varg ka një tjetër notë gjashtëmbëdhjetëshe. Nata jonë në lot shpejt do të kthehet në ditë të gëzueshme.
Koha e shkurtër është shenja e mëshirës në orën e ndëshkimit të besimtarëve. Zotit nuk i pëlqen të përdorë fshikullën mbi të zgjedhurit e Tij; Ai jep një goditje ose dy dhe mbaron e gjitha; po, jeta dhe gëzimi, që vijnë pas zemërimit dhe qarjes, ndreqin akoma më shumë se trishtimi shpëtues. Eja, zemra ime, fillo alelujat e tua! Mos qaj gjatë gjithë natës, por fshi sytë duke paraprirë mëngjesin. Këto lot janë vesë që janë për ne po aq mirë sa edhe rrezet e diellit të së nesërmes. Lotët pastrojnë sytë për pamjen e Perëndisë në hirin e Tij dhe e bëjnë vizionin e hirit të Tij më të çmuar akoma. Një natë pikëllimi nxjerr më në pah hijet e tablosë. Gjithçka është mirë.
22 gusht (Zemërim për lavdi të Perëndisë)
“Edhe zemërimi i njerëzve do të shndërrohet në lavdi për Ty, dhe Ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimit të tyre.”
{#Psalmi 76 :10}
Njerëzit e ligë do të jenë tërë pezëm. Zemërimin e tyre ne duhet ta durojmë si shenjën dalluese të thirrjes sonë, dëshminë e ndarjes sonë prej tyre; sikur të ishim të botës bota do të na donte. Ngushëllimi ynë është se zemërimi i njeriut do të kthehet në përlëvdim të Perëndisë. Kur në zemërimin e tyre të ligjtë kryqëzuan Birin e Perëndisë, ata po përmbushnin pa dashur qëllimin hyjnor dhe në një mijë raste paramendimi i të paudhit po bën të njëjtën gjë. Ata e mendojnë veten e tyre të lirë, por ashtu si të burgosur në zinxhirë ata po zbatojnë pavetëdije dekretet e të Plotfuqishmit.
Mjetet e të ligut hidhen poshtë në disfatë. Ato veprojnë në një mënyrë vetvrasëse dhe prishin vetë përbetimet e tyre. Asgjë nuk mund të vijë prej zemërimit të tyre që mund të na bëj ndonjë dëm të vërtetë. Kur ata dogjën për së gjalli martirët, tymi që doli prej turrës së druve sëmuri njerëzit e Papizmit më shumë se gjithçka tjetër. Ndërkohë, Zoti ka një turizë dhe një zinxhir për arinjtë. Ai përmban zemërimin më të furishëm të armikut. Ai është si një mullis që mban masën e ujit dhe atë që lejon të kalojë e përdor për rrotullimin e rrotës. Le të mos psherëtijmë, por le të këndojmë. Gjithçka shkon mirë, sa do fort të fryjë era.
23 gusht (Duaj dhe kërko urtësinë e vërtetë)
“Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.”
{#Fjalët e urta 8 :17}
Urtësia do dashuruesit e saj dhe kërkon kërkuesit e saj. Është tashmë i urtë ai që kërkon të jetë i urtë dhe pothuajse ka gjetur urtësinë ai që e kërkon me zell atë. Ajo çfarë është e vërtetë për urtësinë në përgjithësi është veçanërisht e vërtetë për urtësinë e trupëzuar në Zotin tonë Jezus. Atë kemi për të dashur dhe kërkuar dhe si shpërblim do të gëzojmë dashurinë e Tij dhe do ta gjejmë Atë.
Puna jonë është të kërkojmë Jezusin herët në jetë. Lum të rinjtë mëngjesi i të cilëve shpenzohet me Jezusin! Nuk është kurrë tepër herët për të kërkuar Zotin Jezus. Kërkuesit e hershëm bëhen gjetës të sigurtë. Ne duhet ta kërkojmë Atë herët me zell. Tregtarët e mbarë janë herakë dhe shenjtorët e mbarë e kërkojnë Jezusin herët. Ata që e gjejnë Jezusin e si rrjedhojë pasurohen, ia japin zemrën kërkimit të Tij. Ne duhet të kërkojmë atë së pari dhe ta bëjmë këtë gjë sa më herët. Mbi gjithçka Jezusin, Jezusin së pari dhe asgjë tjetër as në vend të dytë. Bekimi është se Ai do të gjendet. Ai ia zbulon Veten gjithnjë e më qartë kërkimit tonë. Ai ia jep Veten më plotësisht shoqërimit tonë. Lum njerëzit që kërkojnë dikë që, kur gjendet, qëndron me ta përherë, një thesar gjithnjë e më shumë i çmuar për zemrat dhe kuptimin e tyre. Zot Jezus,të kam gjetur; gjeju prej meje në një shkallë të pashprehshme kënaqësie të gëzueshme.
24 gusht (Perëndia është mbi filozofinë njerëzore)
“Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”
{#1 Korintasve 1 :19}
Ky varg është kërcënues për aq sa bëhet fjalë për të mençurit sipas botës, por për besimtarin e thjeshtë është një premtim. Të vetëashtuquajturit të ditur janë duke u përpjekur përherë të asgjësojnë besimin e besimtarit të përulët, por ata dështojnë në përpjekjet e tyre. Argumentet e tyre thyhen, teoritë e tyre bien nën vetë peshën e tyre, komplotet e tyre të fshehta zbulohen përpara se qëllimi i tyre të përmbushet.
Ungjilli i vjetër nuk është shuar akoma dhe nuk do të shuhet ndërsa Zoti jeton. Sikur të mund të asgjësohej do të ishte zhdukur prej botës shumë më përpara. Ne nuk mund të shkatërrojmë mençurinë e të urtit, as nuk kemi nevojë të bëjmë përpjekje për këtë, sepse puna është në duar shumë më të sigurta. Vetë Zoti thotë, “Do ta asgjësoj” dhe Ai kurrë nuk vendos më kot. Dy herë në këtë varg Ai deklaron qëllimin e Tij dhe ne mund të qëndrojmë të sigurtë se Ai nuk do të shmanget nga ky qëllim. Çfarë pune të pastër që Zoti kryen ndaj filozofisë dhe “mendimit modern” kur vë dorën e Tij aty! Ai hedh poshtë pamjen e saj të rafinuar; Ai shkatërron krejtësisht drurin, kashtën dhe kamjallën. Është e shkruar se kështu do të jetë dhe ashtu do të jetë me të vërtetë. Zot, mos vono veprën Tënde. Amen dhe Amen.
25 gusht (Ushqim dhe prehje)
“Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë”, thotë Zoti, Zoti.”
{#Ezekieli 34 :15}
Nën udhëheqjen hyjnore shenjtorët ushqehen sa ngopen. Nuk bëhet fjalë për racion të dobët a të pakënaqshëm “mendimi” njerëzor, por Zoti i ushqen ata me të vërtetën e fortë thelbësore të zbulesës hyjnore. Ka ushqim të vërtetë për shpirtin në Shkrim i sjellë në zemër prej Frymës së Shenjtë. Jezusi vetë është ushqimi i vërtetë jetë-mbështetës i besimtarëve. Këtu Bariu ynë i madh premton se një ushqim i tillë i shenjtë do të na jepet nga vetë Ai. Nëse në Shabat, bariu ynë tokësor është me duar bosh, Zoti nuk është ashtu.
Kur është e mbushur me të vërtetë të shenjtë, mendja prehet. Ata që Jehovai ushqen janë në paqe. Asnjë qen nuk do t’i shqetësojë, asnjë ujk nuk do t’i shqyejë, asnjë prirje e pareshtur nuk do t’i bezdisë. Ata do të pushojnë dhe do të tresin ushqimin që kanë gëzuar. Doktrinat e hirit nuk janë veçse mbështetëse, por edhe ngushëlluese: në to ne kemi mjetet për zhvillim dhe pushim. Nëse predikuesit nuk na japin prehje, le ta kërkojmë atë te Zoti. Këtë ditë Zoti na dhëntë të ushqehemi në kullotat e Fjalës dhe të pushojmë në to. As marrëzia dhe as shqetësimi, por Përsiatja dhe Paqja shënofshin këtë ditë.
26 gusht (I krishteri me ndërgjegje të njomë)
“Do të gjykoj midis dele e dele.”
{#Ezekiel 34:22}
Disa janë të majmë dhe të lulëzuar dhe prandaj janë të ashpër me të dobëtit. Ky është një mëkat i rëndë dhe shkakton shumë trishtim. Ato shtyrjet me ije dhe me shpatull, ato të rëna me brirë ndaj të sëmurëve, janë një mënyrë e trishtueshme shkelje në asambletë e të ashtuquajturve besimtarë. Zoti merr në shënim këto vepra krenare dhe të rrepta dhe Ai është shumë i zemëruar prej tyre, sepse Ai e do të dobëtin.
A është lexuesi një prej të përçmuarve? A është një vajtues në Sion dhe një njeri i treguar me gisht për shkak të ndërgjegjes së tij të njomë? A e gjykojnë vëllezërit e Tij rreptë? Le të mos mbajë mëri sjelljen e tyre; mbi të gjitha le të mos shtyjë dhe të mos godasë për t’u hakmarrë. Le ta lërë punën në duart e Zotit. Ai është Gjykatësi. E pse duhet që të dëshirojmë të futim hundët në detyrën e Tij? Ai do të vendosë shumë më drejt se ç’mundim. Koha që Ai ka zgjedhur për gjykim është më e mira dhe ne nuk kemi pse të ngutemi për ta shpejtuar atë.
Shtypësi zemërngurtë le të dridhet. Edhe sikur ai t’i bjerë më qafë të tjerëve me pandëshkueshmëri për të tashmen, të gjitha fjalimet e tij të fryra janë mbajtur shënim dhe për secilin prej tyre duhet të jepet llogari para Gjykatësit të Madh. Durim shpirti im! Durim! Zoti e di brengën tënde. Jezusi yt pastë mëshirë për ty!
27 gusht (Njerëz të zgjedhur)
“Të kam provuar (zgjedhur) në poçen (furrnaltën) e pikëllimit.”
{#Isaia 48:10}
Kjo ka qenë për një kohë të gjatë motoja e fiksuar përpara syrit tonë mbi murin e dhomës sonë të gjumit dhe në shumë mënyra ka qenë gjithashtu e shkruar mbi zemrat tona. Nuk është gjë e vogël të jesh i zgjedhur nga Perëndia. Zgjedhja e Perëndisë i bën njerëzit e zgjedhur njerëz të përzgjedhur. Më mirë të jesh i zgjedhuri i Perëndisë se sa i zgjedhuri i një kombi të tërë. Kaq i shquar është ky privilegj sa çfarë do disfavori ta shoqërojë, ne e pranojmë atë plot me gëzim ashtu si Hebreu hëngri barnat e hidhura për hir të Qengjit të Pashkës. Ne zgjedhim furrnaltën përderisa Perëndia na zgjedh në të.
Ne jemi të zgjedhur si një popull i pikëlluar dhe jo si një popull i begatshëm, të zgjedhur jo në pallat mbretëror, por në furrnaltë. Në furrnaltë bukuria prishet, pamja e jashtme shkatërrohet, forca shkrihet, lavdia konsumohet dhe prapëseprapë dashuria e përjetshme zbulon sekretet e saj dhe deklaron zgjedhjen e saj. Kështu ka qenë në rastin tonë. Në periudhat e sprovës më të ashpër, Perëndia na e ka bërë thirrjen dhe zgjedhjen tonë të qartë dhe ne jemi siguruar për to; atëherë kemi zgjedhur Zotin për të qenë Perëndia jonë dhe Ai na ka treguar se ne jemi me siguri të zgjedhurit e Tij. Prandaj, edhe sikur sot furrnalta të nxehet shtatë herë më nxehtë, ne nuk do të tmerrohemi, sepse Biri i lavdishëm i Perëndisë do të ecë me ne mes qymyrit të ndezur.
28 gusht (Shpëtim në çdo rrethanë)
“Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.”
{#Psalmi 55:16}
Po, duhet dhe do të lutem. Çfarë mund të bëj tjetër? Çfarë mund të bëj më mirë? I tradhtuar, i braktisur, i brengosur, i nëpërkëmbur, o Zoti im, do të të kërkoj ndihmë. Tsiklagu im është bërë hir dhe njerëzit flasin për të më vrarë me gurë, por unë marr zemër në Zotin që do të më mbajë mes kësaj sprove ashtu si më ka mbajtur mes shumë të tjerave. Jehovai do të më mbështesë; jam i sigurtë se po dhe shpall besimin tim. Zoti dhe askush tjetër nuk do të më shpëtojë. Nuk dëshiroj ndihmës tjetër dhe nuk do të besoja te një krah mishi edhe sikur të mundja.
Do t’i klith Atij në drekë, mëngjes dhe mbrëmje dhe nuk do t’i thërras asnjë tjetri, sepse Ai është i gjithëmjaftueshëm. Se si do të më shpëtojë unë nuk e di, por Ai do ta bëjë, e di. Ai do ta bëjë në mënyrën më të mirë dhe më të sigurtë dhe Ai do ta bëjë në kuptimin më të gjerë, më të vërtetë dhe më të plotë. Jashtë prej këtij telashi dhe prej çdo telashi të ardhshëm i madhi UNE JAM do të më nxjerrë po aq me siguri sa Ai jeton; dhe kur vdekja vjen dhe të gjitha misteret e përjetshme pas saj, akoma kjo do të jetë e vërtetë: “Zoti do të më shpëtojë.” Kjo do të jetë kënga ime përgjatë gjithë kësaj dite vere. A nuk është si një mollë e pjekur e pemës së jetës? Do të ushqehem me të. Sa e ëmbël që është për shijen time!
29 gusht (Freskim i plotë)
“Jeta (shpirti) e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur.”
{#Jeremia 31:12}
Oh, të kesh shpirtin nën kultivimin qiellor; jo më një shkretëtirë, por një kopsht i Zotit! I qerthulluar nga djerrina, i rrethuar me mur nëpërmjet hirit, i mbjellur nëpërmjet mësimit, i vizituar me anë të dashurisë, i spastruar me anë të disiplinës qiellore dhe i ruajtur përmes fuqisë hyjnore, shpirti i favorizuar i të krishterit është i përgatitur të japë fryte për Zotin. Mirëpo një kopsht mund të bëhet i thatë prej mungesës së ujit dhe atëherë të gjitha barishtet e tij vyshken dhe janë gati të vdesin. O shpirti im, sa shpejt do të ndodhte kjo sikur Zoti të të linte! Në Lindje një kopsht pa ujë shpejt resht fare të jetë kopsht: asgjë nuk mund të vijë në pjekuri, të rritet ose madje edhe të jetojë. Kur ujitja vazhdon rezultati është hirplotë.
Oh, ta kesh shpirtin të ujitur prej Frymës së Shenjtë në mënyrë të njëtrajtshme—çdo pjesë e kopshtit duke pasur vetë rrymën e saj; përplot—një freskim i mjaftueshëm duke ardhur te çdo pemë dhe bar, sado e etur prej natyre mund të jetë; vazhdimisht—çdo orë duke sjellë jo vetëm nxehtësinë e saj, por freskimin e saj; me urtësi—çdo bimë duke marrë pikërisht atë çfarë ka nevojë. Në një kopsht mund ta dallosh nga gjelbërimi atje ku uji rrjedh dhe mund të dallosh shpejt kur Fryma e Perëndisë vjen. O Zot, më ujit këtë ditë dhe më bëj që të të jap një fryt të plotë, për hir të Jezusit. Amen.
30 gusht (Ngushëllim, siguri dhe kënaqësi)
“A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurtë. A nuk do të bëjë Ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?”
{# 2 Samueli 23:5}
Ky nuk është dhe aq një premtim sa një agregat premtimesh—një kuti perlash. Besëlidhja është arka që përmban të gjitha gjërat.
Këto janë fjalët e fundit të Davidit, por mund të jenë të miat sot. Këtu ka një psherëtimë: gjërat nuk janë me mua dhe të mitë ashtu si do të dëshiroja; ka sprova, shqetësime dhe mëkate. Këto e bëjnë jastëkun të fortë.
Këtu ka ngushëllim—”Ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme.” Jehovai është zotuar me mua dhe e ka vulosur paktin me gjakun e Jezusit. Jam i lidhur me Perëndinë tim dhe Perëndia im me mua.
Kjo nxjerr në pah një siguri përderisa kjo besëlidhje është e përjetshme, që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurtë. Nuk ka asgjë për t’u pasur frikë prej kalimit të kohës, dështimit në ndonjë pune të harruar, ose prej pasigurisë së natyrshme të gjërave. Besëlidhja është një themel shkëmbor për të ndërtuar aty sipër për jetë ose vdekje.
O shpirti im, kthehu këtë ditë te Zoti yt Jezus, që Zoti i madh e ka dhënë për të qenë një besëlidhje për popullin. Merre Atë për të qenë gjithçkaja jote në gjithçka.
31 gusht (Hyjnore, e përjetshme, e pandryshueshme)
“Por fjala e Zotit mbetet përjetë, dhe kjo është fjala që ju është shpallur (predikuar).”
{#1 Pjetri 1:25}
Çdo mësim njerëzor dhe me të vërtetë, çdo qenie njerëzore, do të kalojë ashtu si bari i luginës, por ne jemi të siguruar këtu se fjala e Zotit është e një karakteri shumë të ndryshëm, sepse do të mbesë përjetë.
Ne kemi këtu një ungjill hyjnor, sepse çfarë fjale mund të mbesë përjetë përveç asaj që është folur prej Perëndisë të përjetshëm?
Ne kemi këtu një ungjill që jeton përherë, po aq plot me gjallëri sa kur doli së pari prej buzës së Perëndisë; po aq i fortë të bindë, të kthejë në besim, të ripërtërijë dhe të ngushëllojë, të mbështesë dhe të shenjtërojë, sa ishte në ditët e tij të para të kryerjes së mrekullive.
Ne kemi një ungjill të pandryshueshëm, që nuk është sot bar i gjelbër dhe nesër kashtë e thatë, por gjithmonë e vërteta e qëndrueshme e Jehovait të pandryshueshëm. Opinionet ndryshojnë, por e vërteta e vërtetuar prej Perëndisë do të mund të ndryshonte veçse po të ndryshonte Perëndia që e ka shqiptuar atë.
Këtu pra ne kemi një ungjill me të cilin të gëzohemi, një fjalë të Zotit ku mund të mbështetemi me gjithë peshën tonë. “Përjetë” përfshin jetë, vdekje, gjykim dhe përjetësi. Lavdi Perëndisë në Krishtin Jezus për ngushëllimin e përjetshëm. Ushqehu me fjalën sot dhe gjithë ditët e jetës tënde.