Një premtim prej Zotit mund të krahasohet në mënyrë shumë mësimdhënëse me një çek. I është dhënë besimtarit me pikësynimin për t’i falur diçka të mirë. Nuk është synuar që ai ta lexojë përciptas dhe më pas të ketë mbaruar punë me të. Jo, ai duhet ta trajtojë premtimin si një realitet, ashtu si një njeri shikon një çek.
Ai duhet ta marrë premtimin dhe ta kundërfirmosë me vetë emrin e tij duke e pranuar personalisht si të vërtetë. Ai duhet ta pranojë si të vetin. Ai vë vulën se Zoti është i vërtetë dhe i vërtetë në lidhje me këtë fjalë të veçantë premtimi. Ai shkon më tej akoma dhe beson se ka bekimin duke pasur premtimin e sigurt të tij dhe prandaj vë emrin e tij për të vërtetuar marrjen e bekimit.
1 janar (Premtimi i parë i Biblës)
“Dhe Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.”
{Zanafilla 3:15}
Ky është premtimi i parë për njeriun e rënë. Ai përmban të tërë ungjillin dhe thelbin e besëlidhjes së hirit. Ai është përmbushur në më të shumtën. Fara e gruas, domethënë Zoti ynë Jezus, u plagos në thembrën e tij dhe kjo ishte një plagosje e tmerrshme. Sa më e tmerrshme do të jetë shtypja përfundimtare e kokës së gjarprit! Kjo u krye me të vërtetë kur Jezusi hoqi mëkatin, mposhti vdekjen dhe theu pushtetin e satanit, por do të ketë një përmbushje akoma më të plotë në ardhjen e dytë të Zotit tonë dhe në Ditën e Gjykimit.
Për ne, premtimi qëndron si një profeci se do të pikëllohemi prej fuqive të mëkatit në natyrën tonë më të ulët dhe në këtë mënyrë do të plagosemi në thembër, por ne do të triumfojmë në Krishtin, i Cili vë këmbën e Tij mbi kokën e gjarprit të lashtë. Përgjatë këtij viti mund të na ndodhë të mësojmë pjesën e parë të këtij premtimi nëpërmjet përvojës, prej tundimeve të djallit dhe dashakeqësisë së të paudhëve, të cilët janë fara e tij. Ata mund të na plagosin aq sa ne mund të çalojmë për shkak të thembrës sonë të vrarë, por le të mbërthejmë pjesën e dytë të tekstit dhe nuk do të tutemi. Nëpërmjet besimit le të gëzohemi se ne akoma do të mbretërojmë në Krishtin Jezus, fara e gruas.
2 janar (Dyluftim fitimtar)
“Perëndia i paqes do të dërrmojë së shpejti Satananë nën këmbët tuaja.”
{Romakëve 16:20}
Këtij premtimi i vjen radha mirë mbas atij të ditës së djeshme. Ne duhet të jemi njësoj me Kreun tonë besëlidhës jo vetëm në plagosjen në thembrën e Tij, por në ngadhënjimin e Tij kundrejt të ligut. Edhe nën këmbët tona dragoi i vjetër duhet të dërrmohet. Besimtarët romakë ishin të pikëlluar nga grindja në kishë, por Perëndia i tyre ishte “Perëndia i paqes” dhe i dha atyre prehje shpirti. Kryearmiku zuri në kundërthënie të pamaturin dhe mashtroi zemrat e të thjeshtit, por së fundi u mund dhe u shtyp poshtë prej atyre që ai pati trazuar. Kjo fitore nuk do të vijë te njerëzit e Perëndisë nëpërmjet vetë aftësisë ose pushtetit të tyre, por Perëndia Vetë do të dërrmojë satananë. Edhe pse ka për të qenë nën këmbët e tyre, prapëseprapë dërrmimi do të jetë vetëm prej Zotit.
Le të shkelim me trimëri pra mbi tunduesin! Jo vetëm frymëra më të ulëta, por vetë princi i errësirës duhet që të mposhtet përpara nesh. Me një mirëbesim në Perëndinë tonë pa pasur asnjë dyshim, le të kërkojmë fitore të shpejtë. “Së shpejti.” Fjalë e bekuar! Së shpejti ne do të vëmë këmbën tonë mbi gjarprin e vjetër! Çfarë gëzimi të shtypësh të ligën! Çfarë poshtërimi për satananë të ketë kokën e tij të dërrmuar prej këmbës njerëzore! Me anë të besimit në Jezusin le ta shtypim tunduesin.
3 janar (Prehje mbi premtimin)
“Tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu.”
{Zanafilla 28 :13}
Asnjë premtim nuk ka interpretim të veçantë. Çdo premtim i përket të gjithë besimtarëve dhe jo vetëm një shenjtori. Vëllai im, nëse nëpërmjet besimit ti mund të shtrihesh mbi një premtim dhe të prehesh aty sipër, atëherë të përket ty. Atje ku Jakobi qëndroi dhe u preh, atje hyri në zotërim. Duke u shtrirë i lodhur mbi tokë, me gurët e asaj toke në vend të jastëkut, pak ia priti mendja se po hynte kështu në pronësi të tokës; prapëseprapë ashtu ishte. Ai pa në ëndërr atë shkallë të mrekullueshme e cila për të gjithë besimtarët bashkon tokën dhe qiellin dhe me siguri atje ku rrëza e shkallës qëndroi ai duhet të ketë të drejtën e pronësisë, sepse përndryshe nuk do të mund të arrinte dot shkallën hyjnore. Të gjitha premtimet e Perëndisë janë Po dhe Amen në Krishtin Jezus dhe ashtu siç Ai është yni, çdo premtim është i yni nëse shtrihemi mbi të me besim prehës.
Eja, ti i lodhur, përdor fjalët e Zotit tënd si jastëkët e tu, shtrihu ne paqe. Ëndërro vetëm për Të. Jezusi është shkalla jote e dritës. Shiko engjëjt duke zbritur dhe duke u ngjitur në Të midis shpirtit tënd dhe Perëndisë tënd dhe ji i sigurtë se premtimi është vet risku yt i dhënë prej Perëndisë dhe se nuk do jetë grabitje ta marrësh për veten tënde duke qenë se është shprehur posaçërisht për ty.
4 janar (Prehje e qetë)
“Dhe do të bëj të prehen të qetë.”
{Osea 2 :18}
Po, shenjtorët kanë për të pasur paqe. Pjesa nga është marrë ky tekst i hirshëm flet për paqe “me kafshët e fushave, me shpendët e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës.” Kjo është paqe me armiqtë e kësaj toke, me të liga misterioze dhe me bezditë e vogla! Secila prej këtyre mund të na pengojë të prehemi ne paqe, por asnjë prej këtyre nuk do të mund ta arrijë një gjë të tillë. Zoti do të shkatërrojë krejtësisht këto gjëra që kërcënojnë njerëzit e Tij: “Do të thyej harkun, shpatën dhe luftën duke i eliminuar nga toka.” Paqja do të jetë me të vërtetë e thellë kur të gjitha instrumentet e shqetësimit do të bëhen copa copa.
Me këtë paqe do të vije prehje, “Ai u jep pushim atyre që do.” Të furnizuar përplot dhe të qetësuar hyjnisht, besimtarët prehen ne prehje të qetë. Kjo prehje do të jetë një prehje e sigurtë. Është një gjë të prehesh dhe tjetër gjë të “prehesh i qetë.” Ne jemi sjellë në tokën e premtimeve, në shtëpinë e Atit, në dhomën e dashurisë dhe kraharorin e Krishtit; me siguri që tani ne mund të “prehemi të qetë.” Është më e sigurtë për një besimtar të prehet në paqe se sa të qëndrojë ndenjur dhe të jetë në ankth. “Ai më çon në kullota me bar të njomë,” ne nuk gjejmë prehje kurrë derisa Ngushëlluesi të na bëjë të prehemi.
5 janar (Një garanci e mrekullueshme)
“Unë të forcoj.”
{Isaia 41 :10}
Kur jemi të thirrur për të shërbyer dhe për të vuajtur, llogarisim fuqinë tonë dhe zbulojmë se është me pak se ç’e mendonim dhe më pak se ç’kemi nevojë. Mirëpo zemra jonë le të mos lëshohet përbrenda nesh ndërsa kemi një fjalë të tillë si kjo ku të mbështetemi, sepse ajo na garanton gjithçka që mund të kemi nevojë. Perëndia ka forcë të plotfuqishme; Ai mund të na transmetojë këtë forcë dhe premtimi i Tij është se Ai ashtu do të bëjë. Ai do të jetë ushqimi i shpirtrave tanë dhe shëndeti i zemrave tona; dhe kështu Ai do të na japë forcë. Kush e di vallë sa shumë fuqi Perëndia mund të vendosë përbrenda një njeriu.
Kur vjen fuqia hyjnore, dobësia njerëzore nuk është më pengesë. A nuk na vijnë në mendje vallë periudhat e punës së rëndë dhe sprovës kur ne morëm një forcë kaq të posaçme sa mbetëm të habitur me veten tonë? Në mes të rrezikut ne ishim të qetë, nën zi ishim të nënshtruar, nën shpifje ishim të përmbajtur dhe nën sëmundje ishim të duruar. Fakti është se Perëndia jep forcë të papritur kur sprova të pazakonta vijnë mbi ne, ne dalim mbi veten tonë të dobët. Frikacakët bëhen burra, të pamendët marrin urtësi dhe të heshturit i jepet në çastin e duhur ajo çfarë duhet thënë; vetë dobësia ime më bën që të tkurrem, por premtimi i Perëndisë më bën trim. Zot, më forco “sipas fjalës sate.”
6 janar (Ndihmë nga jashtë)
“Unë të ndihmoj.”
{Isaia 41 :10}
Premtimi i djeshëm na siguroi forcë për çfarë kemi për të bërë, por ky i sotmi na garanton ndihmë në rastet kur nuk mund të veprojmë vetëm. Zoti thotë, “Unë të ndihmoj.” Forca përbrenda është e dhënë prej ndihmës nga jashtë. Perëndia mund të ngrejë për ne aleatë në betejën tone nëse i duket mirë kështu; dhe edhe nëse nuk na dërgon ndihmesë njerëzore, Ai Vetë do të jetë në anën tonë dhe kjo është më mirë akoma. “Aleati ynë Hyjnor” është më mirë se legjione ndihmësish të vdekshëm.
Ndihma e Tij vjen në kohën e duhur; Ai është një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Ndihma e Tij është shumë e urtë; Ai di se si t’i japë çdo njeriu ndihmë të kënaqshme dhe të përshtatshme. Ndihma e Tij është tepër e efektshme edhe atëherë kur ndihma e njeriut del e kotë. Ndihma e Tij është më shumë se ndihmë, sepse Ai mban të gjithë barrën dhe përmbush të gjitha nevojat. “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç`do të më bëjë njeriu?” Ngaqë Ai ka qenë tashme ndihma jonë, ne ndjehemi plot me mirëbesim në Të për të tashmen dhe për të ardhmen. Lutja jonë është, “o Zot, bëhu ti ndihma ime”; përjetimi ynë është, “Fryma na ndihmon në dobësitë tona”; pritja jonë është, “Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?”; dhe kënga jonë së shpejti do të jetë, “Ti o Zot, më ke ndihmuar.”
7 janar (Gjithmonë duke u rritur)
“Gjëra më të mëdha se këto do të shohësh”
{Gjoni 1:50}
Ky premtim i shprehet një besimtari fëmijëngjashëm, që ishte gati të pranonte Jezusin si Birin e Perëndisë, Mbretin e Izraelit, veç prej një fakti të vetëm. Ata që duan të shikojnë do të shikojnë; është për shkak se ne mbyllim sytë që bëhemi kaq mjerisht të verbër. Ne kemi parë tashmë shumë. Gjëra të mëdha dhe të pahulumtueshme Zoti na ka treguar, për të cilat ne lavdërojmë emrin e Tij, por ka të vërteta më të mëdha në Fjalën e Tij, thellësi më të mëdha përjetimi, lartësi më të mëdha shoqërimi, vepra më të mëdha dobishmërie, zbulime më të mëdha fuqie, dashurie dhe urtësie.
Këto gjëra kemi për të parë nëse jemi të vullnetshëm t’i besojmë Zotit tonë. Aftësia e shpikjes së doktrinave të rrema është shkatërrimtare, por fuqia për të kuptuar të vërtetën është një bekim. Qielli do t’ju hapet, shtegu do të na bëhet më i kthjellët në Birin e Njeriut dhe punët e engjëjve mes mbretërive lart dhe atyre poshtë do të jetë më e dukshme për ne. Le të mbajmë sytë tanë lart drejt gjërave shpirtërore dhe të presim që të shikojmë gjithnjë e më shumë. Le të besojmë se jetët tona nuk do të shkojnë kot, por se do të fitojmë rritje përherë duke parë gjëra më të mëdha dhe më të mëdha akoma derisa të shikojmë Vetë Perëndinë e madhërishëm për të mos e humbur më kurrë pamjen e Tij.
8 janar (Pastërti zemre dhe jetë)
“Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.”
{Mateu 5:8}
Pastërtia, madje pastërtia e zemrës është gjëja kryesore për t’u synuar. Ne kemi nevojë të bëhemi të pastër përbrenda nëpërmjet Frymës dhe Fjalës dhe atëherë do të jemi të pastër nga jashtë nëpërmjet përkushtimit dhe bindjes. Ka një lidhje të ngushtë midis ndjenjave dhe kuptimit; nëse duam të ligën nuk mund të kuptojmë atë që është e mirë. Nëse zemra është e fëlliqur, syri do të jetë i errësuar. E si vallë ata njerëz që duan gjëra jo të shenjta mund të shikojnë një Perëndi të shenjtë?
Çfarë privilegji në këtë premtim të shikosh Perëndinë! Një shikim i Tij do të thotë parajsa poshtë në tokë! Në Krishtin Jezus i pastërti në zemër vështron Atin. Ne shikojmë Atë, të vërtetën e Tij, dashurinë e Tij, qëllimin e Tij, sovranitetin e Tij, karakterin e Tij besëlidhës, po, ne shikojmë Vetë Atë në Krishtin. Mirëpo këto gjëra kuptohen vetëm kur mëkati është lënë jashtë zemrës. Vetëm ata që synojnë përshpirtshmërinë mund të thërrasin, “Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti.” Dëshira e Moisiut, “tregomë lavdinë Tënde,” mund të përmbushet për ne vetëm atëherë kur pastrojmë veten prej çdo paudhësie. Ne “do ta shohim se si është Ai,” dhe “kushdo që e ka këtë shpresë në Të, le ta pastrojë veten.” Gëzimi i shoqërimit të tanishëm dhe shpresa e vizionit të bekuar janë motive të ngutshme për pastërti zemre dhe jete. Zot, na bëj të pastër në zemër që të mund të Të shikojmë!
9 janar (Fitim duke dhënë)
“Njeriu bujar do të pasurohet.”
{Fjalët e urta 11:25}
Nëse dëshiroj të lulëzoj ne shpirt, nuk duhet që të grumbulloj për vete, por duhet që t’i shpërndaj të varfrit. Të jesh dorështrënguar dhe kurnac është mënyra e botës për t’u pasuruar, por ama nuk është mënyra e Perëndisë, sepse Ai thotë, “Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.” Mënyra e fitimit për besimin është dhënia. Duhet ta vë në praktikë këtë në vazhdimësi dhe me vend mund të pres se po aq mbrothësi sa do të jetë mirë për mua, do të më jepet si një shpërblim i hirshëm për një sjellje bujare.
Sigurisht që nuk është e sigurtë se pasuria do të ndjekë më pas. Do të jem i pasur, por ama jo tepër i pasur. Pasuri të mëdha të tepërta mund të më bëjnë po aq të rëndë sa njerëzit trupmëdhenj dhe mund të më shkaktojnë dispepsi mondaniteti dhe ndoshta mund të sjellin një degjenerim dhjamor të zemrës. Jo, nëse jam mjaftueshëm i shëndoshë sa për të qenë i shëndetshëm, do të jem i kënaqur; dhe nëse Zoti më jep të ardhura, do të jem krejtësisht i kënaqur. Mirëpo ka një pasuri shpirtërore dhe mendore që duhet të lakmoj shumë dhe kjo vjen si rezultat i mendimeve bujare ndaj Perëndisë tim, kishës sime dhe të afërmit tim. Le të mos tregohem i kursyer, prej frikës se mos ngordh zemrën nga uria. Le të jem dorëhapur dhe bujar, sepse kështu do të jem ashtu si Zoti im. Ai dha Veten e Tij për mua; a do t’i jepja Atij me pahir ndonjë gjë?
10 janar (Shpërblim hyjnor)
“Ai që vadit do të vaditet gjithashtu.”
{Fjalët e urta 11:25}
Nëse me kujdes interesohem për të tjerët, Perëndia do të interesohet për mua dhe në ndonjë mënyrë Ai do të më shpërblejë. Le të interesohem për të varfrin dhe Zoti do të interesohet për mua. Le të përkujdesem për fëmijët e vegjël dhe Zoti do të më trajtojë si fëmija e Tij. Le të ushqej kopenë e Tij dhe Ai do të me ushqejë. Le të vadis kopshtin e Tij dhe Ai do ta bëjë shpirtin tim një kopsht të vaditur. Ky është vetë premtimi i Zotit; të kemi kujdes që ne të përmbushim kushtin dhe me pas të presim përmbushjen e Tij.
Mund të përkujdesem për vetën time derisa të bëhem i sëmurë; mund të ruaj vetë ndjenjat e mia derisa të mos ndjej asgjë; dhe mund të qahem prej vetë dobësisë sime derisa të bëhem tepër i dobët për të vajtuar. Do të ishte shumë me e dobishme për mua të bëhem zemërgjerë dhe i shtyrë nga dashuria për Zotin tim Jezus të filloj të përkujdesem për shpirtrat e atyre që janë përreth meje. Sterna ime po shterohet; nuk ka shi të freskët për ta mbushur atë; do të heq shtupën dhe do të lë ujin të rrjedhë jashtë për të ujitur bimët e vyshkura përreth meje. Çfarë po shikoj? Sterna ime duket sikur mbushet teksa derdhet. Një burim i fshehtë është në punë. Ndërsa gjithçka ishte e ndenjur, burimi i freskët ishte i vulosur, por ndërsa brendia ime del me shpejtësi për të ujitur të tjerët atëherë Zoti mendon për mua. Alelujah!
11 janar (Besimi lind ylberin)
“Dhe kur të sjell re mbi tokën, do të ndodhë që harku të shfaqet në retë.”
{Zanafilla 9 :14}
Pikërisht tani dhe retë janë mjaft të ngarkuara, por ne nuk kemi frikë se bota mund të shkatërrohet prej një përmbytjeje. Ne e shikojmë mjaft shpesh ylberin për të na parandaluar të kemi druajtje të tilla. Besëlidhja që Zoti lidhi me Noan qëndron e patundur dhe ne nuk kemi dyshime ne lidhje me të. Pse, atëherë, na duhet që të mendojmë se retë e telasheve, që tani errësojnë qiellin tonë do të përfundojnë me shkatërrimin tonë? Le t’i largojmë tutje druajtje të tilla të pathemelta dhe çnderuese. Besimi përherë shikon ylberin e premtimit të besëlidhjes sa herë që gjykimi shikon renë e pikëllimit.
Perëndia ka një hark me anë të cilit Ai mund të hedhë me forcë shigjetat e Tij të shkatërrimit. Por pa shihni, është i drejtuar lart! Është një hark pa as dhe një shigjetë dhe pa litar; është një hark i varur për shfaqje, jo më i përdorur për luftë. Është një hark shumëngjyrësh, që shpreh gëzim e ëndje dhe jo një hark gjak i kuq nga gjakderdhja ose i zi nga zemërimi. Le të marrim zemër. Perëndia kurrë nuk errëson qiellin tonë aq sa të lërë besëlidhjen e Tij pa asnjë dëshmitar dhe edhe sikur ta bënte këtë, ne do t’i mirëbesonim Atij përderisa Ai nuk mund të ndryshojë as nuk mund të gënjejë, ose në ndonjë farë mënyrë të mund të dështonte për të ruajtur besëlidhjen e Tij të paqes. Veçse nëse ujërat do ta përmbysnin tokën përsëri, ne nuk kemi arsye pse të dyshojmë Perëndinë tonë.
12 janar (Dashuri deri në fund)
“Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë.”
{Vajtimet 3:31}
Ai mund të na hedhë poshtë për një periudhë, por ama jo për gjithnjë. Një grua mund të lërë xhevahiret e saj për ca kohë, por ama ajo nuk i harron dhe nuk i hedh në plehra. Kjo nuk do t’i përshtatej Zotit sikur Ai të hidhte poshtë ata që do, sepse është e shkruar: “Duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.” Disa flasin për të krishterët në gjendje hiri ose të dalë nga hiri, sikur të bëhej fjalë për lepuj që hyjnë dhe dalin nga strofulla e tyre ashtu si duan. Mirëpo dashuria e Shpëtimtarit tonë ndaj të tijve është tepër e thellë dhe besnike për të ndodhur kështu.
Ai na zgjodhi që prej përjetësisë dhe do të na dojë për gjithë përjetësinë. Ai na deshi mjaft sa vdiq për ne dhe ne mund të jemi të sigurtë se dashuria e Tij nuk do të reshtë kurrë. Bëhet fjalë për nderin e Tij përsa i përket shpëtimit të besimtarit dhe ta hidhje poshtë besimtarin do të thoshte ta zhvishje Krishtin prej rrobës së Tij prej Mbreti lavdie. Jo, jo! Koka nuk ndahet aspak prej gjymtyrëve të saj; Dhëndri nuk do të ndajë kurrë gruan e Tij. A keni besuar ndonjëherë se jeni hedhur poshtë? Si mund të keni menduar kaq keq për Zotin, I Cili është i fejuari i shpirtit tuaj? Dëboni këtej e tutje të tilla druajtje dhe mos i lini vend në zemrat tuaja. “Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e Vet, të cilin e njohu që përpara.” {Romakëve 11:2} “Ai e urren divorcin.” {Malakia 2:16}
13 janar (Kurrë të nxjerrë jashtë)
“Atë që vjen tek Unë, Unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.”
{Gjoni 6 :37}
A ka pasur ndonjë rast që Zoti ynë të ketë nxjerrë jashtë ndonjë që ka ardhur tek Ai? Nëse po, do të donim të dinim për të, por nuk ka pasur as dhe një rast dhe kurrë nuk do të ketë rast të tillë. Mes shpirtrave të humbur në ferr nuk ka as dhe një që mund të thotë, “Shkova te Jezusi dhe Ai më refuzoi.” Nuk është e mundur që ti ose unë të mund të jemi të parët me të cilët Jezusi nuk do të mbante fjalën e Tij. Le të mos ushqejmë një dyshim të tillë kaq të zi.
Merrni me mend sikur të shkojmë te Jezusi tani në lidhje me të këqijat e të sotmes. Oh, për këtë mund të jemi të sigurtë—Ai nuk do të refuzojë të na dëgjojë as nuk do të na nxjerrë jashtë. Ata prej nesh që kanë shkuar shpesh dhe ata që nuk kanë shkuar kurrë më parë—le të shkojmë bashkë dhe do të shikojmë se Ai nuk do ta mbyllë në fytyrë portën e hirit të Tij ndaj askujt prej nesh. “Ky njeri i pranon mëkatarët,” dhe nuk prapëson asnjë. Ne vijmë te Ai në dobësi dhe mëkat me besim luhatës, njohuri të paktë dhe shpresë të vogël, por Ai nuk na nxjerr jashtë. Ne vijmë me lutje dhe kjo lutje e thyer; me rrëfim dhe ky rrëfim i metë; me lavdërim dhe ky lavdërim larg meritave të Tij, por prapëseprapë Ai na pranon. Ne vijmë të sëmurë, të ndotur, të këputur, por Ai në asnjë mënyrë nuk na nxjerr jashtë. Le të vijmë përsëri te Ai sot që nuk na nxjerr jashtë kurrë.
14 janar (Prehja është dhuratë)
“Ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje (prehje).”
{Mateu 11:28}
Ne që jemi të shpëtuar gjejmë prehje në Jezusin. Ata që nuk janë të shpëtuar do të marrin prehjen nëse vijnë tek Ai, sepse Ai këtu premton ta “japë.” Asgjë nuk mund të jetë më falas se një dhuratë; le të pranojmë me gëzim çfarë Ai jep me gëzim. Nuk keni për ta blerë, as ta merrni hua, por veç ta merrni si një dhuratë. Jeni të rropatur nën zgjedhën e ambicies, lakmisë, epshit ose ankthit; Ai do t’ju çlirojë prej këtyre zinxhirëve prej hekuri dhe do t’ju japë prehje. Jeni të “ngarkuar”, po, “të rënduar” me mëkate, frikë, shqetësim, brejtje ndërgjegje, frikën e vdekjes, por nëse vini te Ai, Ai do t’ju lehtësojë. Ai mbajti masën shtypëse të mëkatit tonë që vetë ne mos ta mbajmë më gjatë. Ai u bë Barrëmbajtësi i madh, me qëllim që çdo i ngarkuar të reshtë të përkulet nën peshën e stërmadhe.
Jezusi jep prehje. Ashtu është! A do ta besosh këtë? A do ta provosh? A do të bësh kështu menjëherë? Eja te Jezusi duke lënë çdo shpresë tjetër, duke menduar për Të, duke besuar dëshminë e Perëndisë në lidhje me Të dhe duke i mirëbesuar Atij për çdo gjë. Nëse vjen kështu tek Ai, prehja që Ai do të të japë do të jetë e thellë, e sigurtë, e shenjtë dhe e përjetshme. Ai jep një prehje që vazhdon më tej në qiell dhe Ai ia jep këtë ditë të gjithë atyre që vijnë te Ai.
15 janar (Të bërë të pasur nëpërmjet besimit)
“Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.”
{Psalmi 9:18}
Varfëria është një trashëgim i rëndë, por ata që i mirëbesojnë Zotit bëhen të pasur nëpërmjet besimit. Ata e dine se nuk janë të harruar prej Perëndisë dhe edhe pse mund të duket se janë të anashkaluar në shpërndarjen prej Tij të gjërave të mira, ata presin për një kohë kur e gjithë kjo do të ndreqet. Llazari nuk do të qëndrojë përherë midis qenve në portën e njeriut të pasur, por ai do të ketë shpërblimin e tij ne gjirin e Abrahamit.
Edhe tani Zoti kujton bijtë e Tij të varfër, por ama të çmueshëm, “unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua,” tha dikush në kohët e vjetra dhe ashtu është me të vërtetë. Të përshpirtshmit e varfër kanë pritje të mëdha. Ata presin prej Zotit t’u japë të gjitha gjërat e nevojshme për këtë jetë dhe përshpirtshmerinë; ata presin të shikojnë gjëra që punojnë për të mirën e tyre; ata presin të kenë shoqërim më të ngushtë me Zotin e tyre, që nuk pati ku të mbështeste kokën; ata presin ardhjen e Tij të dytë dhe presin të marrin pjesë në lavdinë e Tij. Kjo pritje nuk mund të vdesë, sepse është e ruajtur në Krishtin Jezus, i Cili jeton përherë dhe ngaqë Ai jeton, ajo do të jetojë gjithashtu. Shenjtori i varfër këndon shumë këngë që mëkatari i pasur nuk mund të kuptojë. Prandaj pra, kur jemi ngushtë, le të mendojmë për tryezën mbretërore lart.
16 janar (Edhe thirrja më e mekët)
“Dhe do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë.”
{Joeli 2:32}
Pse nuk i drejtohem vallë emrit të Tij? Pse shkoj me nxitim te ky apo ai fqinj ndërkohë që Perëndia është kaq afër dhe do të dëgjojë edhe thirrjen time më të mekët? Pse ulem poshtë dhe përpiloj skema dhe shpik plane! Pse vallë nuk ia dorëzoj veten time dhe barrën time Zotit? Vrapuesi më i mirë është ai që vrapon në vijë të drejtë—pse nuk rend vallë menjëherë për te Perëndia i gjallë? Më kot do të kërkoj për çlirim diku tjetër, por me Perëndinë do ta gjej, sepse këtu kam një premtim mbretëror, një “do të”, që e bën të sigurtë.
Nuk kam pse pyes nëse unë mund t’i drejtohem Atij apo jo, sepse fjala “kushdo” është një fjalë gjithëpërfshirëse. Kushdo do të thotë unë, sepse do të thotë secili e kushdo që i thërret Perëndisë. Prandaj pra do të ndjek shembullin e tekstit dhe menjëherë do t’i thërras Zotit të lavdishëm i Cili ka bërë një premtim kaq gjithëpërfshirës. Rasti im është urgjent dhe nuk e kuptoj dot se si kam për t’u çliruar, por kjo nuk është puna ime. Ai që bën premtimin do të gjejë mënyra dhe mjete për ta mbajtur. Më përket mua t’i bindem urdhëresave të Tij; nuk me përket mua t’i jap këshilla Atij. Unë jam shërbëtori i Tij dhe jo avokati i Tij. Unë i drejtohem Atij dhe Ai do të më çlirojë.
17 janar (Një njeri pa frikë)
“Perëndia tha: “Unë do të jem me ty.”
{Eksodi 3:12}
Sigurisht që përderisa Zoti dërgoi Moisiun me një mision, Ai nuk do ta linte të shkonte vetëm. Rreziku i tmerrshëm që kjo gjë do të nënkuptonte dhe fuqia e madhe që do të kërkonte do ta bënte qesharake faktin që Perëndia të dërgonte një hebre të vetëm të pafuqishëm për t’u përballur me mbretin më të fuqishëm në të gjithë botën dhe më pas ta linte vetëm. Nuk mund të përfytyrohet që një Perëndi i urtë të mund të përballte Moisiun e varfër me Faraonin dhe me forcat e stërmëdha të Egjiptit. Prandaj Ai thotë, “Unë do të jem me ty,” sikur të ishte e pamendueshme që ta dërgonte vetëm.
Në rastin tim, gjithashtu, vlen e njëjta rregull. Nëse shkoj me porosinë e Zotit me një mbështetje të thjeshtë mbi fuqinë e Tij dhe me një shikim vetëm te lavdia e Tij, është e sigurtë se Ai do të jetë me mua. Fakti që Ai vetë më dërgon e detyron të më mbështesë. A nuk është kjo e mjaftueshme? Çfarë mund të dëshiroj më shumë? Sikur të gjithë engjëjt të ishin me mua, mund të dështoja, por nëse Ai është me mua, duhet që të kem sukses. Veçse le të tregoj kujdes që të mund të veproj ashtu siç duhet ndaj këtij premtimi. Le të mos shkoj me druajtje, me gjysmë zemër, pa kujdes e me mburrje. Oh çfarë njeriu që duhet të jetë ai që ka Perëndinë me të! Me një shoqërim të tillë më takon të tregohem burrë dhe ashtu si Moisiu të shkoj te Faraoni pa frikë.
18 janar (Krishti dhe fëmijët e Tij)
“Duke ofruar jetën e Tij si flijim për mëkatin, Ai do të shikojë pasardhës.”
{#Isaia 53:10}
Zoti ynë Jezus nuk vdiq më kot. Vdekja e Tij ishte flijuese; Ai vdiq si zëvendësuesi ynë, sepse vdekja ishte dënimi i mëkateve tona. Ngaqë zëvendësimi i Tij u pranua prej Perëndisë, Ai ka shpëtuar ata për të cilët flijoi shpirtin e Tij. Nëpërmjet vdekjes Ai u bë ashtu si kokrra e grurit që sjell shumë fryt. Duhet të ketë një trashëgimi bijsh dhe bijash për Jezusin; Ai është “Ati i përjetshëm.” Ai do të thotë, “Ja unë, dhe fëmijët që m`i dha Perëndia.”
Një njeri është i nderuar me bijtë e tij dhe Jezusi e ka kukurën plot me këto shigjeta të fuqishme. Një njeri është i përfaqësuar me fëmijët e tij dhe ashtu është Krishti me të krishterët. Në pasardhjen e tij jeta e një njeriu duket se zgjatet dhe shtrihet; dhe po ashtu jeta e Jezusit vazhdon me jetën e besimtarëve. Jezusi jeton, sepse Ai shikon pasardhjen e Tij. Ai fikson sytë e Tij te ne, Ai gjen ëndje të madhe me ne, Ai na njeh si fryti i mundit të shpirtit të Tij. Le të jemi në hare se Zoti ynë nuk dështon të gëzojë rezultatin e flijimit të Tij të tmerrshëm dhe se Ai nuk do të reshtë kurrë të gëzojë sytë e Tij me të korrurën e vdekjes së Tij. Ata sy që një herë derdhën lot për ne, po na shikojnë tani me kënaqësi. Po, Ai shikon ata që po e shikojnë. Sytë tanë ndeshen! Çfarë gëzimi që është ky!
19 janar (Rrëfim me gojë, Besim me zemër)
“Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.”
{#Romakëve 10 :9}
Duhet të ketë rrëfim me gojë. A e kam bërë këtë gjë? A kam pohuar vallë haptas besimin tim në Jezus si Shpëtimtarin që Perëndia ka ngjallur prej së vdekurish dhe a e kam bërë këtë gjë sipas vullnetit të Perëndisë! Le t’i përgjigjem sinqerisht kësaj pyetjeje. Duhet të ketë gjithashtu besim me zemër. A besoj sinqerisht në Zotin Jezus të ngjallur? A i mirëbesoj Atij si e vetmja shpresë e imja e shpëtimit? A vjen ky mirëbesim prej zemrës sime? Le të përgjigjem sikur të isha përpara Perëndisë.
Nëse me të vërtetë mund të pretendoj se realisht kam rrëfyer Krishtin dhe se kam besuar te Ai, atëherë jam i shpëtuar. Teksti nuk thotë se ndoshta mund të ndodhë kështu, por është e qartë si drita e diellit, “do të shpëtohesh.” Si një besimtar dhe rrëfyes mund të vendos dorën time mbi këtë premtim dhe ta marr për mbrojtje përpara Zotit Perëndi në këtë çast dhe përgjatë gjithë jetës, në orën e vdekjes dhe në Ditën e Gjykimit. Duhet të shpëtohem prej fajit të mëkatit, pushtetit të mëkatit, dënimit të mëkatit dhe së fundi prej vetë mëkatit. Perëndia e ka thënë –”Do të shpëtohesh.” E besoj këtë. Do të shpëtohem. Jam i shpëtuar. Lavdi Perëndisë përjetë!
20 janar (Ngadhënjimtari)
“Kujt fiton do t`i jap të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë.”
{#Zbulesa 2 :7}
Asnjë njeri nuk mund të kthejë kurrizin në ditën e betejës ose të kundërshtojë të shkojë në luftën e shenjtë. Ne duhet të luftojmë nëse do të donim të mbretërojmë dhe duhet që të vazhdojmë në fushën e betejës derisa të kemi mposhtur çdo armik ose përndryshe ky premtim nuk është për ne, përderisa është vetëm për “atë që fiton.” Ne duhet të mposhtim profetët e rremë që kanë ardhur në botë dhe gjithë të ligat që shoqërojnë mësimin e tyre. Ne duhet të mposhtim lëshimin e vetë zemrave tona dhe prirjen për t’u larguar prej dashurisë sonë të parë. Lexoni të gjithë fjalën e Frymës drejtuar kishës në Efez.
Nëse nëpërmjet Hirit dalim ngadhënjimtarë, ashtu si do të jemi me të vërtetë nëse ndjekim me zemër Udhëheqësin tonë ngadhënjimtar, atëherë do të pranohemi mu në mes të parajsës së Perëndisë dhe do të lejohemi të kalojmë pranë kerubinit dhe shpatës së tij të zjarrtë dhe të vijmë te pema e mbrojtur, prej të cilës nëse një njeri ha fryt, do të jetojë përjetë. Do t’i shpëtojmë kështu asaj vdekjeje të pafund që është gjykimi i mëkatit dhe do të fitojmë atë jetë të përjetshme që është vula e pafajësisë, zgjatimi i parimeve të pavdekshme të shenjtërisë hyjnore sipas Perëndisë. Eja zemra ime, merr kurajë! T’i largohesh konfliktit do të thotë të humbësh gëzimet e Edenit të ri dhe më të mirë; të luftosh e të dalësh fitimtar do të thotë të ecësh me Perëndinë në parajsë.
21 janar (Armiqtë e Perëndisë do të përkulen)
“Egjiptasit do të marrin vesh atëherë që Unë jam Zoti.”
{#Eksodi 7:5}
Është e vështirë ta mësosh botën e paudhë. Egjipti nuk e njeh Jehovain dhe prandaj guxon të ngrejë më këmbë idhujt e tij dhe madje guxon të pyesë, “Kush është Zoti?” Prapëseprapë Zoti ka për synim të thyejë zemrat krenare, me hir a me pahir. Kur gjykimet e Tij bubullijnë mbi kokat e tyre, errësojnë qiejt e tyre, shkatërrojnë të korrat e tyre dhe vrasin bijtë e tyre, ata fillojnë të dallojnë diçka në lidhje me pushtetin e Jehovait. Akoma do të ketë gjëra të tilla mbi tokë aq sa të bëjnë që skeptikët të gjunjëzohen. Le të mos tutemi prej blasfemive të tyre, sepse Zoti do të ketë kujdes për vetë emrin e Tij dhe Ai do të veprojë kështu në një mënyrë shumë të efektshme.
Shpëtimi i vetë popullit të Tij ishte një tjetër mënyrë e fuqishme për t’i bërë egjiptasit të marrin vesh se Perëndia i Izraelit është Jehovai, Perëndia i gjallë dhe i vërtetë. Asnjë izraelit nuk vdiq prej asnjë prej të dhjetave plagë. Asnjë prej farës së zgjedhur nuk u mbyt në Detin e Kuq. Po ashtu, shpëtimi i të zgjedhurit dhe lavdërimi i sigurtë i të gjithë besimtarëve të vërtetë do të shpjerë armiqtë më kokëfortë të Perëndisë të njohin se Jehovai, Ai është Zoti. Oh, sikur pushteti i Tij bindës të ushtrohet nëpërmjet Frymës së Tij të Shenjtë në predikimin e ungjillit, derisa të gjitha kombet të përkulen në emrin e Jezusit dhe ta quajnë Atë Zot!
22 janar (Bujaria e krishterë)
“Lum ai që kujdeset për të varfrin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.”
{#Psalmi 41:1}
Të mendosh për të varfrin dhe t’i japim një vend në zemrat tona është detyrë e njeriut të krishterë, sepse Jezusi na i vuri afër kur tha, “Sepse të varfrit do t`i keni përherë me ju.” Shumë u japin të varfërve parat e tyre me nxitim, pa e menduar; dhe shumë nuk japin asgjë. Ky premtim i çmuar i përket atyre që “kujdesen” për të varfrin, shqyrtojnë rastin e tyre, bëjnë plane për në dobi të tyre dhe i zbatojnë me kujdes. Ne mund të bëjmë më shumë me anë të përkujdesjes se sa me anë të parave dhe akoma më shumë me të dyja bashkë.
Atyre që kujdesen për të varfërit, Zoti i premton vetë kujdesin e Tij në kohë pikëllimi. Ai do të na nxjerrë nga telashi nëse ndihmojmë të tjerët ndërsa ata janë në telash. Do të marrim ndihmë shumë të veçantë provanie nëse Zoti shikon se ne përpiqemi t’u jemi afër të tjerëve. Do të kemi një kohë telashi, sado zemërgjerë qofshim, por nëse jemi bujarë mund të paraqesim një përgjërim për çlirim të veçantë dhe Zoti nuk do të mohojë vetë fjalën dhe premtimin e Tij. Koprracët mund me të vërtetë të ndihmojnë veten e tyre, por është Zoti Ai që do të ndihmojë besimtarët zemërgjerë dhe bujarë. Ashtu siç i keni bërë të tjerëve ashtu do t’ju bëjë Zoti. Hapni kuletën.
23 janar (Flijim i përkryer)
“Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e olokaustit, që do të pranohet në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij.”
{#Levitiku 1 :4}
Nëse me anë të vendosjes së dorës së ofruesit demi i vogël u bë flijimi i tij, aq më shumë Jezusi do të bëhet yni ndërsa ne vendosim mbi Të dorën e besimit? Besimi im me të vërtetë vendos dorën e tij mbi atë kokë të shtrenjtë Tënden, ndërsa qëndroj ashtu si pendestar dhe atje rrëfej mëkatin tim.
Nëse një dem i vogël mund të pranohej për të si një flijim, aq më shumë Zoti Jezus do të jetë flijimi ynë i plotë dhe i mjaftueshëm! Disa gjejnë shkak për grindje ne lidhje me të vërtetën e madhe të zëvendësimit, por sa për ne, është shpresa, gëzimi, mburrja jonë dhe gjithçkaja jonë. Jezusi është pranuar për të bërë flijimin për ne dhe ne jemi “të pëlqyer në të dashurin Birin e Tij.” Lexuesi të tregojë kujdes menjeherë që të vendosë dorën e tij mbi flijimin e plotë të Zotit, në mënyrë që duke e pranuar të mund të ketë pjesë në Të. Nëse lexuesi kështu ka bërë menjëherë, le ta bëjë përsëri. Nëse kurrë nuk e ka bërë këtë, le ta vendosë dorën e tij pa u vonuar më gjatë. Jezusi është i juaji tani nëse doni ta keni. Mbështetuni te Ai—mbështetuni fort te Ai—dhe Ai është i juaji përtej çdo dyshimi; jeni të pajtuar me Perëndinë, mëkatet e juaja janë fshirë dhe i përkisni Zotit.
24 janar (Përkujdesje për rrugën tonë)
“Ai ruan rrugën që bëjnë shenjtorët e Tij”
{#1 Samueli 2 :9}
Rruga është e rrëshqitshme dhe këmbët tona janë të dobëta, por Zoti do të na ruajë. Nëse ia japim të gjithë veten tonë me anë të besimit për të qenë shenjtorët e Tij, Ai Vetë do të jetë rojtari ynë. Jo vetëm që do t’i ngarkojë engjëjt e Tij të na ruajnë, por Ai Vetë do të na ruajë në hapat tona.
Ai do të ruajë rrugën tonë që të mos biem, në mënyrë që të mos fëlliqim rrobat tona, të mos plagosim shpirtrat tanë dhe të mos i japim shkak armikut të blasfemojë.
Ai do të ruajë rrugën tonë që të mos hallakatemi, në mënyrë që të mos hyjmë në shtigje gabimi ose rrugë çmendurie ose në rrjedhën e zakoneve të botës.
Ai do të ruajë rrugën tonë prej mbufatjeve nga lodhja, ashpërsia dhe gjatësia e rrugës.
Ai do të ruajë rrugën tonë prej plagosjes; këpucët tona do të jenë hekur dhe tunxh kështu që edhe sikur të shkelim mbi tehun e shpatës, ose mbi gjarpërinj vdekjeprurës, as nuk do të gjakosemi as nuk do të helmohemi.
Ai do të na çlirojë gjithashtu prej rrjetës. Ne nuk do të kapemi në grackë prej mashtrimit të armiqve tanë dashakeq dhe tinëzarë.
Me një premtim të tillë si ky, le të vrapojmë pa u lodhur dhe le të ecim pa pasur frikë. Ai që ruan rrugën tonë do ta ruajë ashtu si duhet.
25 janar (Ai vepron mbas rrëfimit të sinqertë)
“Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: “Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë,dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja. Perëndia ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën.”
{#Jobi 33:27, 28}
Kjo është një fjalë vërtetësie e mbledhur prej përjetimit të një njeriu të Perëndisë dhe është njëlloj me një premtim. Atë çfarë Zoti ka bërë dhe po bën, Ai do ta vazhdojë ta bëjë ndërsa bota qëndron akoma. Zoti do të pranojë në gjirin e Tij të gjithë ata që vijnë te Ai me një rrëfim të sinqertë të mëkatit të tyre; në fakt, Ai vëzhgon gjithmonë për të zbuluar ndonjë që është i trazuar për shkak të mëkateve të tij.
A nuk mund ta miratojmë dot vallë gjuhën e përdorur këtu? A nuk kemi mëkatuar vallë, mëkatuar personalisht sa të themi, “Kam mëkatuar”? A nuk kemi mëkatuar vullnetarisht, duke shtrembëruar atë që është e drejtë? A nuk kemi mëkatuar aq sa të zbulojmë se nuk ka fitim në mëkat përveçse një humbje të përjetshme? Atëherë le të shkojmë pra te Perëndia me një pohim të sinqertë. Ai nuk kërkon gjë më shumë. Ne nuk mund të bëjmë më pak. Le të marrim në mbrojtje premtimin e Tij në emrin e Jezusit. Ai do të na çlirojë prej gropës së ferrit e cila hap gojën për ne; Ai do të na japë jetë dhe dritë. E pse vallë të dëshpërohemi? Pse vallë të dyshojmë? Zoti nuk tallet me shpirtrat e përulur. Ai e ka me tërë mend atë që thotë. Fajtori mund të falet. Ata që meritojnë ekzekutim mund të marrin falje falas. Zot, rrëfejmë mëkatin tonë dhe të lutemi të na falësh!
26 janar (Perëndia mposht frikën)
“Nuk ka magji kundër Jakobit, nuk ka shortari kundër Izraelit.”
{#Numrat 23:23}
Oh, ky premtim duhet të presë çdo rrënjë e degë të frikës besëtytnore të pamend! Edhe sikur të kishte ndonjë gjë të vërtetë në shtrigëritë dhe ogurët, nuk do të mund të preknin dot njerëzit e Zotit. Ata që Perëndia bekon, djajtë nuk mund t’i mallkojnë.
Njerëz të paudhë, ashtu si Balaami, mund të ngrenë kurthe me dinakëri për përmbysjen e Izraelit të Zotit, por pavarësisht fshehtësisë dhe taktikave të tyre ata janë të dënuar të dështojnë. Baruti i tyre është i lagur; tehu i shpatës se tyre është i topitur. Ata mblidhen bashkë, por përderisa Zoti nuk është me ta, ata mblidhen bashkë më kot. Ata mund të tundin rrjetat e tyre, por le të qëndrojmë të qetë, sepse nuk do të zihemi në to. Edhe sikur të thërrasin në ndihmë Belzebulin dhe të përdorin të gjithë dinakërinë e tij besëgjarpër, nuk do t’i hyjë aspak në punë; magjia nuk do të ketë sukses, shortaria do t’i mashtrojë. Çfarë bekimi që është ky! Sa e qetëson zemrën! Jakobët e Perëndisë luftojnë me Perëndinë, por asnjë nuk do të luftojë kundër tyre dhe të fitojë. Izraelët e Perëndisë do të dalin ngadhënjimtarë. Ne nuk kemi pse të druajmë edhe vetë djallin, as ndonjë prej atyre armiqve të fshehtë me fjalë plot me mashtrim dhe plane të thella dhe të pakuptueshme. Ata nuk mund të dëmtojnë dot ata që i mirëbesojnë Perëndisë së gjallë. Ne sfidojmë djallin dhe të gjithë legjionet e tij.
27 janar (Pendim i çmueshëm)
“Atje do të kujtoni sjelljen tuaj dhe të gjitha veprimet me të cilat jeni ndotur dhe do të ndjeni neveri për veten tuaj për të gjitha ligësitë që keni kryer.”
{#Ezekiel 20:43}
Kur jemi të pranuar prej Zotit dhe qëndrojmë në vendin e favorit, paqes dhe sigurisë, atëherë udhëhiqemi të pendohemi prej të gjitha dështimeve dhe gabimeve kundrejt Perëndisë tonë të hirshëm. Kaq i çmueshëm është pendimi sa ne mund ta quajmë atë një diamant të cilësisë së parë dhe ai i është premtuar ëmbëlsisht njerëzve të Perëndisë si një prej rezultateve më shenjtërues të shpëtimit. Ai që pranon pendimin jep gjithashtu pendimin; dhe Ai nuk e nxjerr atë prej hidhësisë, por prej mjaltit me të cilin ushqen njerëzit e Tij.
Një ndijim faljeje e gjakblerë dhe mëshire të pamerituar është mënyra më e mirë për të shkrirë një zemër të ngurtë. A po ndjehemi të ngurtësuar? Le të mendojmë për dashurinë besëlidhëse dhe atëherë do të braktisim mëkatin, do të vajtojmë prej mëkatit dhe do ta kemi neveri mëkatin; po, do të kemi neveri për veten tonë nga së mëkatuarit kundra një dashurie të tillë të pafund. Le të vijmë te Perëndia me këtë premtim pendimi dhe t’i kërkojmë Atij të na ndihmojë të kujtojmë, të pendohemi, të ndjejmë keqardhje dhe të rikthehemi. Oh, gëzofshim zemërzbutjet që vijnë prej pikëllimit të shenjtë! Çfarë lehtësimi që do të ishte një derdhje lotësh! Zot, godit shkëmbin, ose foli shkëmbit dhe bëj që të rrjedhin ujërat!
28 janar (Lotët do të pushojnë)
“Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.”
{#Zbulesa 21:4}
Po, ne do të shijojmë këtë nëse jemi besimtarë. Pikëllimi do të reshtë dhe lotët do të fshihen. Kjo është bota e vajtimit, por do të kalojë. Do të ketë një qiell dhe një tokë të re, kështu thotë vargu i parë i këtij kapitulli; dhe prandaj nuk do të mbetet më asgjë që të bën të vajtosh në lidhje me rënien dhe mjerimet e saj. Lexoni vargun e dytë dhe vini re se si flet në lidhje me nusen dhe martesën e saj. Martesa e Qengjit është një kohë kënaqësie e pafundme dhe lotët do të ishin të pavend. Vargu i tretë thotë se Vetë Perëndia do të banojë midis njerëzve dhe me siguri që në krahun e Tij të djathtë ka ëndje përjetë dhe nuk mund të ketë më lot.
Cila do të jetë gjendja jonë kur nuk do të ketë më as pikëllim, as klithma dhe as dhimbje? Kjo do të jetë shumë më e lavdishme sa ç’mund të përfytyrojmë. O ju sy që jeni të skuqur prej vajtimit, reshtni lotët tuaj të nxehtë, sepse edhe pak nuk do të njihni më lot! Askush nuk mund të fshijë lotët ashtu si Perëndia i dashurisë, por Ai është duke ardhur për ta bërë këtë. “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.” Eja Zot dhe mos u vono sepse tani si burrat dhe gratë derdhin lot!
29 janar (Bindja sjell bekim)
“Ki kujdes dhe bindju të gjitha fjalëve që të urdhëroj, që të përparosh ti dhe bijtë e tu pas teje, pse keni bërë atë që është e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd.”
{#Ligji i përtërirë 12:28}
Edhe pse shpëtimi nuk është nëpërmjet veprave të ligjit, prapëseprapë bekimet që i janë premtuar bindjes nuk i mohohen shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Zoti ynë hoqi mallkimet kur Ai u bë një mallkim për ne, por ama asnjë klauzolë bekimi nuk është shfuqizuar.
Ne duhet që të mbajmë shënim dhe të dëgjojmë vullnetin e zbuluar të Zotit, duke i kushtuar vëmendjen tonë jo vetëm ca pjesëve të tij por “të gjitha fjalëve.” Nuk duhet të ketë seleksionim, por një respekt të paanshëm ndaj gjithçkaje që Perëndia ka urdhëruar. Kjo është udha e bekimit për prindin dhe fëmijët e tij. Bekimi i Zotit është mbi të zgjedhurit e Tij deri ne brezin e tretë dhe të katërt. Nëse ata ecin me drejtësi përpara Tij, Ai do të bëjë që të gjithë njerëzit të njohin se ata janë një pasardhje që Zoti ka bekuar. Asnjë bekim nuk mund të vijë te ne ose te fëmijët tanë nëpërmjet pandershmërisë ose hipokrizisë. Shtigjet e konformitetit me botën dhe pashenjtërisë nuk mund të na sjellin të mirë as ne as fëmijëve tanë. Do të ecin gjërat mirë për ne kur ne ecim mirë përpara Perëndisë. Nëse integriteti nuk na bën të begatojmë, nuk do të jetë poshtërsia ajo që do ta bëjë një gjë të tillë. Ajo që i jep kënaqësi Perëndisë duhet të na japë kënaqësi.
30 janar (Një shoqërim hyjnor)
“Dhe ja, unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh.”
{#Zanafilla 28 :15}
A kemi nevojë për mëshira për udhëtimet tona? Ja, këto këtu janë të përzgjedhura—Prania e Perëndisë dhe Ruajtja prej Perëndisë, në çdo vend ne kemi nevojë për këto të dyja dhe në çdo vend do t’i kemi nëse jemi të thirrur të nisemi me një detyrë dhe jo thjesht sipas imagjinatës sonë. E pse vallë duhet që ta shikojmë lëvizjen tonë në një vend tjetër si një nevojshmëri të trishtueshme atëherë kur është vullneti hyjnor? Në çdo vend besimtari është si pelegrin ashtu dhe i huaj; dhe prapëseprapë kudo, Zoti është vendbanimi i tij ashtu siç ka qenë për shenjtorët e Tij në të gjitha brezat. Ne mund të humbasim mbrojtjen e një monarku të kësaj toke, por kur Perëndia thotë, “Do të të mbroj,” nuk gjendemi në ndonjë rrezik të vërtetë. Kjo është një pasaportë e bekuar për një udhëtar dhe një shoqërim hyjnor për një emigrant.
Jakobi nuk e kishte lënë kurrë më përpara shtëpinë e babait të tij; ai qe një djalë i përkëdhelur dhe jo një aventurier ashtu si i vëllai. Prapëseprapë ai shkoi jashtë dhe Perëndia qe me të. Ai pati pak bagazhe dhe nuk pati shërbëtor me vete; prapëseprapë asnjë princ nuk udhëtoi me një truprojë më fisnike. Edhe ndërsa flinte në fushë të hapur, engjëjt e ruajtën dhe Zoti Perëndi i foli. Nëse Zoti na urdhëron të shkojmë, le të themi me Zotin tonë Jezus, “Çohuni, ikim prej këndej!”
31 janar (Perëndia dëgjon përherë)
“Perëndia im do të më dëgjojë.”
{#Mikea 7:7}
Miqtë mund të jenë të pabesë, por Zoti nuk do ta braktisë shpirtin e hirshëm; përkundrazi, Ai do të dëgjojë të gjitha dëshirat e tij. Profeti thotë, “ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd. Armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.” Kjo është gjë e mjerueshme me të vërtetë, por edhe në raste të tilla Miku më i mirë mbetet besnik dhe ne mund t’i shprehim Atij të gjithë brengën tonë. Urtësia jonë është të shikojmë te Zoti dhe jo të grindemi me njerëzit. Nëse lutjet tona të dashura përçmohen prej të afërmeve tanë, le të presim Perëndinë e shpëtimit tonë, sepse Ai do të na dëgjojë—Ai do të na dëgjojë aq më tepër për shkak të ashpërsisë dhe shtypjes nga të tjerët dhe shpejt do të gjejmë arsye të thërrasim, “Mos u gëzo me mua, o armiku im!”
Ngaqë Perëndia është Perëndia i gjallë, Ai mund të dëgjojë; ngaqë është Perëndia i dashur, Ai do të dëgjojë; ngaqë është Perëndia ynë besëlidhës, Ai e ka zotuar Veten e Tij për të na dëgjuar. Nëse secili prej nesh mund të flasë për Të si “Perëndia im,” atëherë ne mund të themi me siguri absolute, “Perëndia im do të më dëgjojë.” Eja pra, o zemër e plagosur dhe shprehi pikëllimet e tua Zotit Perëndisë tënde! Do të gjunjëzohem pa u ndjerë dhe do të pëshpërit brenda meje, “Perëndia im do të më dëgjojë.”