1 korrik (Perëndia me ne)
“Perëndia do të jetë me ju.”
{#Zanafilla 48:21}
I miri Jakob i ngarkuar me vite nuk mund të ishte më me Jozefin, sepse i kishte ardhur ora për të vdekur, por Ai e la birin e tij pa ankth, sepse tha me mirëbesim, “Perëndia do të jetë me ju.” Kur të afërmit tanë më të shtrenjtë ose miqtë tanë më të gjindshëm ndërrojnë jetë, ne duhet të ngushëllojmë veten me mendimin se Zoti nuk është larguar prej nesh, por jeton për ne dhe qëndron me ne përherë. Nëse Perëndia është me ne, ne jemi në shoqëri fisnikëruese, edhe sikur të jemi të varfër dhe të përçmuar. Nëse Perëndia është me ne, ne kemi forcë të plotmjaftueshme, sepse asgjë nuk mund të jetë shumë e vështirë për Zotin.
Nëse Perëndia është me ne, ne jemi përherë të sigurtë, sepse asnjë nuk mund të dëmtojë ata që ecin nën hijen e Tij. Oh, çfarë gëzimi që kemi këtu! Jo vetëm që Perëndia është me ne, por Ai do të jetë me ne—me ne si individë; me ne si familje; me ne si kisha. A nuk është vetë emri i Jezusit, Emanuel—Perëndia me ne? A nuk është kjo më e mirë se gjithçka tjetër, se Perëndia është me ne? Le të jemi të zellshëm me guxim dhe duke shpresuar me gëzim. Kauza jonë do të begatojë, e vërteta do të fitojë, sepse Zoti është me ata që janë me Të. Gjithë këtë ditë kjo fjalë e ëmbël u gëzoftë prej çdo besimtari që i drejtohet “bllokut të çeqeve të besimit.” Nuk ka lumturi të mundshme më të madhe.
2 korrik (Pushim freskues)
“Sepse Ai i jep pushim atyre që do.”
{#Psalmi 127:2}
Jeta jonë nuk është një jetë shqetësimi të ankthshëm, por jetë besimi të lumtur. Ati ynë qiellor do të furnizojë nevojat e vetë fëmijëve të Tij dhe Ai e di se për çfarë kemi nevojë përpara se t’ia kërkojmë. Prandaj ne mund të shkojmë te shtretërit tanë në orën e duhur dhe të mos rraskapitemi duke qëndruar vonë për të bëra skema, për të planifikuar dhe për të sajuar. Nëse kemi mësuar të mbështetemi te Perëndia ynë atëherë nuk do të rrimë zgjuar me frikën që mundon zemrat tona, por do t’ia lëmë shqetësimin tonë Zotit, përsiatja jonë për Të do të jetë e ëmbël dhe Ai do të na japë pushim.
Të jesh i dashur nga Zoti është nderi më i lartë i mundur dhe ai që e ka këtë mund të ndjejë se vetë ambicia nuk do të dëshironte më shumë dhe prandaj çdo dëshirë egoiste mund të shkojë të pushojë. Çfarë ka më shumë atje në qiell se sa dashuria e Perëndisë? Prehu, pra,o shpirt, sepse ke të gjitha gjërat. Prapëseprapë ne lëkundemi sa andej këndej derisa vetë Zoti të na japë jo vetëm arsyet për prehje, por vetë prehjen. Po, Ai e bën këtë. Jezusi vetë është paqja jonë, prehja jonë, gjithçkaja jonë. Mbi kraharorin e Tij ne pushojmë në siguri të përkryer, si në jetë ashtu dhe në vdekje.
“Me gjak falës përsëri i spërkatur,
shtrihem për t’u çlodhur
njësoj si në përqafimet e Perëndisë tim,
ose mbi kraharorin e Shpëtimtarit tim.”
3 korrik (Një udhërrëfyes gjatë gjithë rrugës)
“Ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.”
{#Psalmi 48 :14}
Ne kemi nevojë për një udhërrëfyes. Ndonjëherë do të jipnim gjithçka që kemi që të na thuhet çfarë duhet bërë dhe ku të drejtohemi. Duam të bëjmë atë që është e drejtë, por nuk e dimë se cilën prej dy rrugëve duhet që të zgjedhim. Oh, për një udhërrëfyes! Zoti Perëndia ynë begenis të na shërbejë si një udhërrëfyes. Ai e di rrugën dhe do të na drejtojë përgjatë saj derisa të arrijmë në paqe fundin e udhëtimit tonë. Me siguri që ne nuk dëshirojmë drejtim më të pagabueshëm. Le ta vendosim veten tonë absolutisht nën udhëheqjen e Tij dhe nuk do ta humbim kurrë rrugën. Le ta bëjmë Atë Perëndinë tonë dhe do ta njohim Atë si udhërrëfyesin tonë. Nëse ndjekim ligjin e Tij nuk do të humbim rrugën e drejtë të jetës, me kusht që së pari të mësojmë të mbështetemi te Ai në çdo hap që ndërmarrim.
Ngushëllimi ynë është se përderisa Ai është Perëndia ynë përherë e përherë, Ai nuk do të reshtë kurrë të jetë udhëheqësi ynë. “Deri në vdekje” Ai do të na udhëheqë dhe atëherë do të banojmë me Të përjetë dhe nuk do të dalim më jashtë përjetë. Ky premtim udhëheqje hyjnore përfshin siguri për sa zgjat jeta; shpëtim të menjëhershëm, udhëheqje deri në orën e fundit dhe më pas lumni të pafundme. A nuk duhet që secili nga ne të kërkojë këtë në rini, të gëzohet në të në mes të jetës dhe të prehet në të në moshën e thyer? Këtë ditë le të kërkojmë udhëheqje përpara se të dalim jashtë.
4 korrik (Fjala, ushqim i nevojshëm)
“Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.”
{#Mateu 4 :4}
Sikur Perëndia ta donte këtë gjë, ne mund të jetojmë pa bukë po ashtu si Jezusi për dyzet ditë, por ne nuk mund të jetojmë pa Fjalën e Tij. Me anë të asaj Fjale ne u krijuam dhe me anë të Saj vetëm ne mund të ekzistojmë, sepse Ai mban të gjitha gjërat me anë të Fjalës së pushtetit të Tij. Buka është një shkak i dytë; Vetë Zoti është burimi i parë i jetesës sonë. Ai mund të punojë pa shkakun e dytë po ashtu si edhe me të; dhe ne nuk duhet ta lidhim me një mënyrë të vetme veprimi. Le të mos jemi shumë të zellshëm mbas të dukshmes, por le të shikojmë te Perëndia i padukshëm.
Kemi dëgjuar besimtarë të thonë se në varfëri të thellë, kur buka mungonte, i mungonte oreksi gjithashtu; dhe të tjerëve, kur ushqimet e zakonshme mungonin, Zoti i ka dërguar ndihmë të papritur. Por ne duhet të kemi Fjalën e Zotit. Me këtë vetëm ne mund t’i bëjmë ballë djallit. Hiqe këtë prej nesh dhe armiku ynë do të na ketë në pushtetin e vet, sepse shpejt do të ligështoheshim. Shpirtrat tanë kanë nevojë për ushqim dhe nuk ka asgjë për to jashtë Fjalës së Zotit. Të gjitha librat dhe të gjithë predikuesit në botë nuk mund të na japin as dhe një vakt; është vetëm Fjala prej gojës së Perëndisë që mund të mbushë gojën e një besimtari. Zot na jep gjithnjë e më shumë këtë bukë. Ne e çmojmë atë përmbi gjellët mbretërore.
5 korrik (Çlirim i plotë)
“Po atë ditë Unë do të të çliroj, thotë Zoti, dhe nuk do të biesh në duart e atyre prej të cilëve ke frikë.”
{#Jeremia 39 :17}
Kur besnikët e Zotit janë duke vuajtur për Të, ata do të kenë prej Tij njoftime të ëmbla dashurie dhe ndonjëherë do të kenë sihariqe për ata njerëz që janë treguar ndaj tyre të dashur dhe ndihmues ndërsa kanë qenë në nevojë. Ebed-meleku ishte veçse një etiopian i përçmuar dhe ai u tregua i mirë me Jeremian dhe kështu Zoti i dërgoi atij këtë premtim të posaçëm nëpërmjet gojës së profetit. Le të kujtohemi gjithmonë për shërbëtorët e përndjekur të Perëndisë dhe Ai do të na shpërblejë.
Ebed-meleku kishte për t’u çliruar prej njerëzve që i druante hakmarrjen. Ai ishte vetëm një zezak i gjorë, por Jehovai u përkujdes për të. Mijëra u therën prej kaldeasve, por ky zezak i dobët nuk mund të dëmtohej. Ne gjithashtu mund të kemi frikë prej disa të mëdhenjve që janë të hidhur ndaj nesh, por nëse i kemi qenë besnik kauzës së Zotit në orën e përndjekjes, Ai do të jetë besnik me ne. Sidoqoftë, çfarë mund të bëjë njeriu pa lejen e Zotit? Ai vë një gojëz në gojën e zemërimit dhe një kapistër mbi kokën e pushtetit. Le të kemi frikë Zotin dhe atëherë nuk do të kemi frikë prej askujt. Asnjë gotë me ujë të ftohtë dhënë një profeti të përçmuar të Perëndisë nuk do të jetë pa shpërblimin e saj; dhe nëse ne luftojmë për Jezusin, Jezusi do të luftojë për ne.
6 korrik (Dashuria e Tij, Dhurata e Tij, Biri i Tij)
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”
{#Gjoni 3 :16}
Nga të gjithë yjet në qiell ylli polar është më i dobishmi për marinarin. Ky tekst është një yll polar, sepse ka udhëhequr më shumë shpirtra për në shpëtim se sa çdo Shkrim tjetër. Është mes premtimeve çfarë Arusha e Madhe është mes yjësive. Shumë fjalë në të ndriçojnë me shkëlqim të veçantë. Këtu ne kemi dashurinë e Perëndisë me një “aq” që shënon madhësinë e saj të pamasë. Më pas kemi dhuratën e Perëndisë, falas dhe në gjithë madhësinë e saj. Kemi gjithashtu Birin e Perëndisë, atë dhuratë dashurie të pashoqe dhe të çmuar që nuk mund ta shfaqte kurrë plotësisht veten derisa i Vetëmlinduri i qiellit të dërgohej për të jetuar dhe vdekur për njerëzit. Këto tre pika janë plot me dritë.
Më pas është kërkesa e thjeshtë e të besuarit, që tregon hirshëm udhën e shpëtimit të përshtatshme për njerëzit fajtorë. Kjo është e mbështetur nga një përshkrim i gjerë—”kushdo që beson në Të.” Shumë kanë gjetur vend në “kushdo” ndërkohë që do ta kishin gjetur veten të përjashtuar prej një fjale më të ngushtë. Më pas vjen premtimi i madh se besimtarët në Jezus nuk do të humbasin, por do të kenë jetën e përjetshme. Kjo është ngazëlluese për çdo njeri që ndjen se është gati të humbë dhe se nuk mund ta shpëtojë dot veten. Ne besojmë në Zotin Jezus dhe kemi jetën e përjetshme.
7 korrik (Një kor malesh)
“Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e Tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e Tij.”
{#Isaia 49 :13}
Kaq të ëmbla janë ngushëllimet e Zotit sa jo vetëm vetë shenjtorët mund të këndojnë për to, por edhe qiejt dhe toka mund t’ia marrin këngës. Nuk është gjë e vogël të bësh një mal të këndojë dhe prapëseprapë profeti thërret një kor të tërë. Libanin dhe Hermonin, kodrat e larta të Bashanit dhe Moabit, ai do të donte t’i bënte të gjithë të këndonin për shkak të hirit të Jehovait ndaj Sionit të Tij. Po ashtu dhe ne, a nuk mund t’i bëjmë dot malet e vështirësisë, sprovës, misterit dhe mundit të kthehen në raste për lëvdimin e Perëndisë tonë? “Lëshoni britma gëzimi, o male!”
Kjo fjalë premtimi, se Perëndia ynë do të ketë mëshirë për të pikëlluarit e Tij, shoqërohet nga një kumbim i tërë kambanash. Dëgjoni melodinë e tyre—“Ngazëlloni!” “Gëzohuni!” “Lëshoni britma gëzimi.” Zoti do që populli i Tij të jetë i lumtur për shkak të dashurisë së Tij të pareshtur. Ai nuk na do të trishtueshëm dhe në mëdyshje; Ai kërkon nga ne adhurimin e zemrave besimtare. Ai nuk mund të na lërë; e pse duhet që të psherëtijmë ose të jemi të zymtë sikur Ai nuk do ta bënte realizonte dot premtimin e Tij? Oh, paçim një harpë të akorduar mirë! Oh paçim zëra si ato të kerubinëve para fronit!
8 korrik (Rrethim engjëllor)
“Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej Tij dhe i çliron.”
{#Psalmi 34 :7}
Ne nuk mund t’i shikojmë engjëjt, por mjafton se ata mund të na shikojnë. Ka një Engjëll të madh të Besëlidhjes, të Cilin pa e parë ne e duam dhe syri i Tij është përherë mbi ne ditë dhe natë. Ai ka nën urdhrat e Tij një mizëri engjëjsh të shenjtë dhe i bën këta që të jenë ruajtësit e shenjtorëve të Tij duke i ruajtur ata prej çdo të lige. Nëse djajtë na bëjnë dëm, ata që shkëlqejnë na shërbejnë.
Vë re se Zoti i engjëjve nuk vjen e shkon e nuk na bën vizita kalimtare, por Ai dhe ushtritë e Tij zënë vend rreth nesh. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së shpëtimit është atje ku jetojnë ata që e kanë vendosur besimin e tyre në Perëndinë e gjallë. Ky kamp rrethon besnikët, kështu që ata nuk mund të sulmohen prej asnjë ane veçse sikur kundërshtari të mund të çante fortifikimet e Zotit të engjëjve. Ne kemi një mbrojtje të palëkundur, një ruajtje të përhershme. Të lajmëruar prej korrierëve të Perëndisë, ne nuk do të kapemi në befasi nga mësymje të papritura, as nuk do të gllabërohemi nga forca dërrmuese. Çlirimi është premtuar në këtë varg—çlirim prej Kapitenit të shpëtimit tonë dhe këtë çlirim ne do ta fitojmë përsëri dhe përsëri derisa beteja jonë të marrë fund dhe të shkëmbejmë fushën e betejës me banesën e prehjes.
9 korrik (Besnik e i dobishëm)
“Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.”
{#Psalmi 101 :6}
Nëse Davidi foli kështu, ne mund të jemi të sigurtë se Biri i Davidit e mendon njësoj. Jezusi kërkon njerëz besnikë dhe i shikon me vëmendje për t’i vëzhguar, për t’i stimuluar, për t’i dhënë zemër dhe për t’i shpërblyer. Njeriu i sinqertë le të mos mendojë se është harruar; Vetë Mbreti ka syrin e Tij mbi të.
Ka dy rezultate prej këtij vëzhgimi mbretëror. Së pari ne lexojmë,”Do t’i mbaj afër vetes.”Jezusi sjell besnikët në banesën e Tij, Ai i vendos ata në pallatin e Tij, Ai i bën miqtë e Tij, Ai ka ëndje në shoqërinë e tyre. Ne duhet të jemi të vërtetë me Zotin tonë dhe atëherë Ai do të na shfaqet. Kur besnikëria jonë na kushton shumë atëherë ajo do të shpërblehet më mirë; aq më me egërsi njerëzit na flakin aq me më gëzim Zoti ynë do të na pranojë. Më pas, ai thotë për njeriun e sinqertë, “do të jetë shërbëtori im.” Jezusi do të përdorë për vetë lavdinë e Tij ata që përçmojnë dredhitë dhe i janë besnikë Atij, Fjalës së Tij dhe Kryqit të Tij. Këta do të jenë në shpurën e Tij mbretërore, shërbëtorët e nderuar të Lartmadhërisë së Tij. Shoqëria dhe dobishmëria janë shpërblimi i besnikëve. Zot, më bëj besnik, që të mund të jem afër Teje dhe të të shërbej.
10 korrik (Duaje Kishën)
“Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi. Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.”
{#Psalmi 102 :13,14}
Po, lutjet tona për kishën do të dëgjohen. Koha e caktuar ka ardhur. Ne e duam mbledhjen e lutjeve dhe shkollën e të dielës dhe të gjitha shërbimet e shtëpisë së Zotit. Ne jemi të lidhur në zemër me të gjithë njerëzit e Perëndisë dhe mund të themi me të vërtetë, “Nuk ka as dhe një qengj në kopenë Tënde që do të përçmoja të ushqeja ; Nuk ka as dhe një armik para fytyrës së të cilit do të druaja të dilja në mbrojtje të kauzës Tënde.” Nëse kjo është ndjenja e përgjithshme, shpejt do të gëzojmë kohëra freskuese prej pranisë së Zotit.
Asambletë tona do të mbushen, shenjtorët do të gjallërohen dhe mëkatarët do të kthehen në besim. Kjo mund të vijë vetëm prej mëshirës së Zotit, por do të vijë dhe jemi të thirrur ta presim atë. Koha, koha e caktuar ka ardhur. Le të lëvizim. Le të duam çdo gur të Sionit tonë edhe sikur të mund të ketë rënë poshtë. Le të ruajmë si thesar të vërtetën më të vogël, urdhëresën më të vogël, besimtarin më të vogël edhe sikur disa mund t’i përçmojnë ato sikur të ishin njësoj me pluhurin. Kur ne përkrahim Sionin, Perëndia është gati ta përkrahë atë. Kur gjejmë kënaqësi në veprën e Zotit, Vetë Zoti do të gjejë kënaqësi në të.
11 korrik (Kurrë të ndarë prej Perëndisë)
“Dhe ai që jeton e beson në Mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?
{#Gjoni 11:26}
Po Zot, ne e besojmë këtë; ne nuk do të vdesim kurrë. Shpirti ynë mund të ndahet prej trupit tonë dhe kjo është një farë vdekjeje, por shpirti ynë nuk do të ndahet kurrë prej Perëndisë, gjë që është vdekja e vërtetë—vdekja që u vendos si ndëshkimi i mëkatit—dënimi me vdekje që është gjëja më e keqe që mund të ndodhë. Ne e besojmë këtë me shumë bindje, sepse kush mund të na ndajë prej dashurisë së Perëndisë që është në Krishtin Jezus, Zotin tonë? Ne jemi pjesëtarë të trupit të Krishtit; a do të humbiste Krishti pjesë të trupit të Tij? Ne jemi të martuar me Jezusin; a do të mbetej Ai i shkret dhe i ve? Nuk është e mundur.
Ka një jetë përbrenda nesh që nuk mund të ndahet prej Perëndisë; po, dhe Fryma e Shenjtë banon brenda nesh dhe si atëherë ne mund të vdesim? Jezusi vetë është jeta jonë dhe prandaj nuk ka vdekje për ne, sepse Ai nuk mund të vdesë sërish. Në Të ne vdiqëm një herë për mëkatin dhe dënimi me vdekje nuk mund të ekzekutohet për herë të dytë. Tani ne jetojmë dhe jetojmë përjetë. Shpërblimi i drejtësisë është jetë e përjetshme dhe ne nuk kemi asgjë më pak se drejtësinë e Perëndisë dhe mund të pretendojmë shpërblimin më të lartë. Duke qenë se jetojmë dhe besojmë, ne besojmë se do të jetojmë dhe do të gëzohemi. Prandaj ne ecim përpara me siguri të plotë se jeta jonë është e sigurtë në Kreun tonë të gjallë.
12 korrik (Kë, kur, si të çlirojë)
“Zoti e di (si) t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit.”
{#2 Pjetri 2:9}
Të perëndishmit janë të tunduar dhe të sprovuar. Nuk është besim i vërtetë ai që nuk vihet në provë. Por të perëndishmit çlirohen prej sprovave të tyre dhe jo prej fatit, as nga faktorë dytësorë, por prej Vetë Zotit. Ai personalisht merr përsipër të çlirojë ata që i mirëbesojnë. Perëndia i do të përshpirtshmit ose të perëndishmit dhe Ai i jep rëndësi faktit se ku janë dhe si mbahen. Ndonjëherë rruga e tyre duket se është një labirint dhe nuk mund ta marrin dot me mend se si kanë për t’i shpëtuar rrezikut kërcënues. Atë që ata nuk e dinë, Zoti i tyre e di. Ai e di se kë të çlirojë dhe kur të çlirojë dhe si të çlirojë.
Ai çliron në mënyrën që është më e dobishme për të perëndishmin, më dërrmuese për tunduesin dhe më lavdëruese për Veten e Tij. Ne mund t’i lëmë “si-në” Zotit dhe të jemi të kënaqur të gëzohemi në faktin se në ndonjë mënyrë ose tjetër Ai do të shpëtojë me lavdi vetë popullin e Tij përmes të gjitha rreziqeve, sprovave dhe tundimeve të kësaj jete të vdekshme me anë të vetë dorës së djathtë të Tij. Në këtë ditë nuk më përket të hulumtoj sekretet e Zotit tim, por të pres me durim kohën e Tij, duke ditur këtë se edhe pse nuk di asgjë, Ati im qiellor di.
13 korrik (Mirëbesim i plotë)
“Po, Unë do të të çliroj patjetër, dhe nuk do të biesh nga shpata, por jeta jote do të jetë për ty si preja jote, sepse ke vënë besimin tënd tek Unë, thotë Zoti.”
{#Jeremia 39:18}
Shikoni pushtetin mbrojtës të mirëbesimit në Perëndi. Burrat e mëdhenj të Jeruzalemit ranë prej shpatës, por i gjori Ebed-melek ishte i sigurtë, sepse siguria e tij ishte në Jehovain. Ku duhet vallë që një njeri të besojë përveçse në Krijuesin e Tij? Jemi të çmendur kur preferojmë krijesën dhe jo Krijuesin. Oh, sikur të jetonim në të gjitha gjërat me anë të besimit, atëherë do të çliroheshim në çdo kohë rreziku! Askush nuk besoi në Zot më kot dhe askush tjetër nuk do të besojë më kot.
Zoti thotë, “Unë do të të çliroj patjetër.” Vër re qielloren “patjetër.” Çfarëdo gjëje tjetër mund të jetë e pasigurt, por përkujdesja e Perëndisë ndaj besimtarëve është e sigurtë. Vetë Perëndia është ruajtësi i të hirshmit. Nën krahun e Tij të shenjtë ka siguri edhe kur ka çdo lloj rreziku jashtë. A mund ta pranojmë këtë premtim si të sigurtë? Atëherë në urgjencën tonë të tanishme do të zbulojmë se Ai qëndron i palëkundur. Ne shpresojmë të çlirohemi ngaqë kemi miq ose ngaqë jemi të kujdesshëm ose ngaqë mund të shikojmë shenja shpresëdhënëse, por asnjë nga këto gjëra nuk është as gjysmë e mirë sa fjala e thjeshtë e Perëndisë, “sepse ke vënë besimin tek Unë.” Lexues i shtrenjtë, provo këtë rrugë dhe duke e provuar, do ta ruash gjithë jetën. Është po aq e ëmbël sa është dhe e sigurtë.
14 korrik (Barrët e hedhura mbi Të)
“Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe Ai do të të mbajë; Ai nuk do lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.”
{#Psalmi 55:22}
Është një barrë e rëndë, rrokullise atë te Plotfuqishmëria. Është barra jote tani dhe po të shtyp, por kur Zoti e merr atë, nuk është e rëndë për Të që ta mbajë. Nëse je thirrur ta mbash akoma, “Ai do të të mbajë.” Do të jetë mbi Atë dhe jo mbi ty. Do të mbahesh nën të aq sa barra do të jetë një bekim. Sille Zotin aty dhe do të qëndrosh drejtë nën atë që në vetvete do të të kërruste.
Frika jonë më e madhe është se mos sprova na largon prej rrugës së detyrës, por këtë Zoti nuk do ta lejojë kurrë. Nëse jemi të drejtë përpara Atij Ai nuk do të lejojë që pikëllimi ynë të na lëvizë prej vendit. Në Jezusin Ai na pranon si të drejtë dhe në Jezusin Ai na ruan ashtu.
Po çfarë po ndodh në çastin e tanishëm? A po e nis vetëm sprovën e kësaj dite? A po lëndohen supet e tua të gjora me peshën shtypëse? Mos ji kaq i pamend. I thuaj Zotit gjithë brengën tënde dhe lërja Atij. Mos e hidh poshtë barrën tënde për ta rimarrë më pas; por rrokullise në Zotin dhe lëre aty. Atëherë do të ecësh në liri, një besimtar gëzimplotë dhe i pangarkuar, duke kënduar lëvdimet e Barrë-mbajtësit Tënd të madh.
15 korrik (Vajtuesi i ngushëlluar)
“Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.”
{#Mateu 5:4}
Përmes luginës së vajtimit ne vijmë në Sion. Dikush do të mendonte se vajtimi dhe bekimi kundërshtojnë njëri tjetrin, por Shpëtimtari pafundësisht i urtë i vë ata bashkë në lumturinë e këtij vargu. Atë që Ai ka bashkuar, njeriu le të mos ta ndajë.Të vajtosh për mëkatin—vetë mëkatet tona dhe mëkatet e të tjerëve—është vula e Zotit e vendosur mbi besnikët e Tij. Kur Fryma e hirit do të derdhet mbi shtëpinë e Davidit, ose në ndonjë shtëpi tjetër, ata do të vajtojnë. Me anë të vajtimit të shenjtë ne marrim bekimin tonë më të mirë, po ashtu si artikujt më të rrallë na vijnë përmes rrugës detare. Jo vetëm që vajtuesi do të bekohet në ndonjë ditë të ardhshme, por Krishti e shpall atë të bekuar pikërisht tani.
Fryma e Shenjtë me siguri që do të ngushëllojë ato zemra që vajtojnë prej mëkatit. Ata do ngushëllohen prej zbatimit të gjakut të Jezusit dhe prej fuqisë pastruese të Frymës së Shenjtë. Ata do të ngushëllohen në lidhje me mëkatin e bollshëm të qytetit dhe epokës ku jetojnë nëpërmjet sigurisë se Perëndia do ta lavdërojë veten, sa do që shumë njerëz mund të rebelohen kundra Tij. Ata do të ngushëllohen me pritjen se edhe pak dhe do të çlirohen plotësisht prej mëkatit dhe së shpejti do të rrëmbehen lart për të banuar përherë në praninë e lavdishme të Zotit të tyre.
16 korrik (Ca fjalë për atë që çalon)
“Do të shpëtoj çalamanin.”
{#Sofonia 3:19}
Ka plot nga këto çalamanë, si meshkuj ashtu dhe femra. Mund të ndeshni çalamanin njëzet herë brenda një ore. Ata janë në udhën e drejtë dhe shumë të merakosur që të vrapojnë në të me zell, por ata janë çalamanë dhe ecin me vuajtje. Mbi rrugën qiellore ka shumë sakatë. Ndoshta ata thonë në zemrat e tyre—çfarë do të bëhet me ne? Mëkati do të na mposhtë, satanai do të na hedhë poshtë. Gati-të-ndalojë është emri ynë dhe natyra jonë; nuk mund të jemi kurrë ushtarë të mirë të Zotit, as korrierë të shkathët për të shkuar me porosinë e Tij. Mirë, mirë! Ai do të na shpëtojë dhe kjo nuk është gjë e vogël. Ai thotë, “Do të shpëtoj çalamanin.” Në shpëtimin tonë Ai do ta lavdërojë shumë Veten e Tij.
Secili do të pyesë—Si është e mundur që kjo grua çalamane vrapoi në garë dhe fitoi kurorën? Dhe atëherë i gjithë lëvdimi do t’i jepet hirit të plotfuqishëm. Zot, edhe pse çaloj në besim, në lutje, në lëvdim, në shërbim dhe në durim, më shpëto, të përgjërohem! Vetëm Ti mund të shpëtosh një sakat të tillë si mua. Zot, mos më lër të vdes ngaqë jam mes atyre që janë më mbrapa, por përkrah me anë të hirit Tënd pelegrinin më të ngadaltë—pikërisht mua. Shiko se Ai ka thënë se ashtu do të ndodhë dhe prandaj, ashtu si Jakobi, duke mbizotëruar në lutje, shkoj përpara edhe pse gilca e kofshës sime është e tërhequr.
17 korrik (Trima për të vërtetën)
“Por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.”
{#Danieli 11:32}
“Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.” Ata që rekrutohen nën flamurin e Tij do të kenë një komandant që do t’i stërvitë për konfliktin dhe do t’i japë si fuqi ashtu dhe trimëri. Kohërat për të cilat shkroi Danieli ishin nga më të këqijat dhe atëherë u premtua se populli i Perëndisë do të dalë së fundi më së miri; ata do të jenë të fortë dhe guximtarë për t’i bërë ballë armikut të fuqishëm. Oh, njohshim Perëndinë tonë—fuqinë e Tij, besnikërinë e Tij, dashurinë e Tij të pandryshueshme—dhe që kështu të mund të jemi gati të rrezikojmë çdo gjë për Të!
Karakteri i Tij nxit entuziazmin tonë dhe na bën të vullnetshëm për të jetuar dhe vdekur për Të. Oh, njohshim Perëndinë tonë nëpërmjet shoqërimit të afërm me Të, sepse atëherë do të bëhemi si Ai dhe do të përgatitemi të qëndrojmë për të vërtetën dhe drejtësinë. Ai që del përpara mbasi sa ka soditur fytyrën e Perëndisë nuk do të ketë kurrë frikë fytyrën e njeriut. Nëse qëndrojmë me Të, do të kapim frymën heroike dhe për ne një botë armiqsh do të jetë hiç gjë. Një rresht i panumërt njerëzish ose edhe djajsh do të na duket po aq i vogël sa kombet përpara Perëndisë dhe Ai i llogarit ata si karkaleca. Oh, qofshim trima për të vërtetën në këtë ditë gënjeshtre!
18 korrik (Shoqërim në shkretëtirë)
“Prandaj, ja, Unë do ta tërheq pas Meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t’i flas zemrës së saj.”
{#Osea 2:14}
Mirësia e Perëndisë na shikon të joshur nga mëkati dhe vendos të provojë mbi ne joshjet akoma më të fuqishme të dashurisë. A nuk e mbajmë mend vallë kur Dashuruesi i shpirtrave tanë së pari na magjepsi dhe na mahniti duke na shkëputur prej tërheqjeve të botës? Ai do ta bëjë këtë përsëri dhe përsëri sa herë që na shikon se mund të biem në kurthin e djallit. Ai premton të na veçojë, sepse atje Ai mund të merret më mirë me ne dhe ky vend i veçuar nuk ka për të qenë një Parajsë, por një shkretëtirë, përderisa në një vend të tillë nuk do të ketë asgjë për të larguar vëmendjen tonë prej Perëndisë tonë.
Në shkretëtirat e pikëllimit prania e Zotit bëhet gjithçka për ne dhe ne e çmojmë shoqërinë e Tij përtej shoqërisë së miqve tanë kur ulemi nën vetë vreshtin dhe fikun tonë. Vetmia dhe pikëllimi i sjellin atyre dhe Atit të tyre qiellor më shumë se çdo mjet tjetër. Kur jemi tërhequr dhe veçuar, Zoti ka gjëra të përzgjedhura për të na thënë për ngushëllimin tonë. Ai “i flet zemrës sonë”, ashtu si thuhet në origjinal. Oh sikur në këtë kohë të mund ta njihnim këtë premtim në përjetimin tonë! Të tërhequr prej dashurisë, të ndarë me anë të sprovës dhe të ngushëlluar prej Frymës së të vërtetës, njohshim Zotin dhe këndofshim me gëzim!
19 korrik (Sandale për punë të rënda)
“Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua.”
{#Ligji i përtërirë 33:25}
Këtu ka dy gjëra të siguruara për pelegrinin: sandale dhe forcë. Përsa i përket sandaleve, ato janë shumë të nevojshme për të udhëtuar nëpër udhë të ashpra dhe për të shkelur armiq vdekjeprurës. Ne nuk do të ecim këmbëzbathur—kjo nuk do të ishte e përshtatshme për princa me gjak mbretëror. Sandalet tona nuk do të jenë aspak të llojit të zakonshëm, sepse ato do të kenë sholla prej metali jetëgjatë, që nuk do të konsumohet edhe sikur udhëtimi të jetë i gjatë dhe i vështirë. Do të kemi mbrojtje në përpjesëtim me nevojat e rrugës dhe betejës. Prandaj le të marshojmë përpara me guxim, duke mos druajtur asnjë dëm edhe sikur të ecim mbi gjarpërinj ose të vendosim këmbën tonë mbi vetë dragoin.
Sa për forcën, do të vazhdojë për aq gjatë sa do të vazhdojnë ditët tona dhe do të jetë në përpjesëtim me vështirësinë dhe barrën e atyre ditëve. Fjalët janë të pakta, “sa janë ditët e tua,” por domethënia është e plotë. Këtë ditë mund të kërkojmë për sprova dhe punë që lyp energji, por po me aq mirëbesim ne mund të kërkojmë për forcë të barasvlershme. Kjo fjalë e dhënë Asherit na është dhënë neve gjithashtu që kemi besim për ta përvetësuar. Le të ngrihemi në atë shkallë guximi të shenjtë që është i llogaritur për të krijuar përbrenda nesh një zemër besimtare.
20 korrik (Duke shpresuar te Ai)
“Do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.”
{#Hebrenjve 9:28}
Kjo është shpresa ime. Ai që ka ardhur një herë për të mbajtur mëkatet e shumë njerëzve, do t’i shfaqet edhe një herë bijve të njerëzve; kjo është në vetvete një perspektivë e lumtur. Por kjo shfaqje e dytë ka disa shenja të veçanta që e lavdërojnë atë jashtëzakonisht shumë.
Zoti ynë ka mbaruar punë me mëkatin. Ai e ka hequr atë prej popullit të Tij dhe kaq efektshmërisht ka mbajtur dënimin e tij sa nuk do të merret më me të në ardhjen e Tij të dytë. Ai nuk do të paraqesë asnjë flijim mëkati, sepse Ai e ka hequr tutje mëkatin.
Zoti ynë atëherë do të plotësojë shpëtimin e popullit të Tij. Më në fund ata do të shpëtohen në mënyrë të përkryer dhe në çdo pikëpamje do të gëzojnë plotësinë e këtij shpëtimi. Ai nuk vjen që të ndëshkohet për shkak të shkeljeve tona, por të nxjerrë në pah rezultatin e bindjes së Tij; jo të heqë dënimin tonë, por të përkryejë shpëtimin tonë.
Zoti ynë i përgjigjet vetëm atyre që shpresojnë te Ai. Ai nuk do të shihet nën këtë karakter prej njerëzve që janë të verbuar prej vetes dhe mëkatit. Për ta, Ai do të jetë një gjykatës i tmerrshëm dhe asgjë më shumë. Ne së pari duhet të shikojmë te Ai dhe më pas ta kërkojmë; dhe në të dyja rastet soditja jonë do të sjellë jetë.
21 korrik (Shkëlqim si shumë yje)
“Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.”
{#Danieli 12:3}
Këtu ka diçka për të më zgjuar. Ia vlen të jetosh për këtë. Të jesh i urtë është një gjë fisnike në vetvete; në këtë varg bëhet fjalë për një urtësi hyjnore që vetëm Zoti vetë mund ta japë. Oh le të njoh veten time, Perëndinë tim, Shpëtimtarin tim! Qofsha i mësuar në mënyrë kaq hyjnore sa të mund të zbatoj në praktikë të vërtetën hyjnore dhe të jetoj në dritën e saj! A është jeta ime një jetë e urtë? A jam duke kërkuar atë që duhet të kërkoj? A po jetoj ashtu si do të kisha dëshiruar të kisha jetuar kur jam pranë vdekjes? Vetëm një urtësi e tillë mund të sigurojë për mua shkëlqim të përjetshëm ashtu si qiejt të ndriçuar nga rrezet e diellit.
Të jesh një fitues shpirtrash është një arritje e lavdishme. Kam nevojë të jem i urtë nëse kam për të kthyer edhe një të vetëm në drejtësi; aq më tepër sikur të kisha për të kthyer shumë. Oh, paçim njohurinë e Perëndisë, të njerëzve, të Fjalës dhe të Krishtit i Cili do të më mundësojë të sjell në besim të afërmin tim dhe një numër të madh prej tyre! Do doja t’ia jepja veten time kësaj dhe të mos prehem kurrë derisa ta përmbush .Kjo do të jetë më mirë se të fitosh ndere në oborrin mbretëror. Kjo do të më bëjë mua një yll, një yll ndriçues, një yll duke shkëlqyer përherë e përherë; po, dhe më shumë akoma, do të më bëjë të shkëlqej sa shumë yje bashkë. Shpirti im, ngrihu! Zot, më ngjall!
22 korrik (Një lidhje e përjetshme)
“Do të fejohesh me Mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri,në mirësi dhe në dhembshuri. Do të fejohesh me Mua në besnikëri, dhe ti do të njohësh Zotin.”
{#Osea 2:19,20}
Fejesë me Zotin! Çfarë nderi dhe gëzimi! Shpirti im, a është me të vërtetë Jezusi i yti me anë të vetë fejesës së Tij begenisëse? Atëherë mbaj shënim se kjo fejesë është e përjetshme. Ai nuk do ta thyejë kurrë zotimin e Tij, aq më pak do të kërkojë divorc ndaj një shpirti të bashkuar me Të në lidhje martese. Tre herë Zoti thotë, “Do të fejohesh me mua.” Çfarë fjalësh që Ai mbledh bashkë për të shprehur fejesën! Drejtësia hyn për ta bërë besëlidhjen ligjore; askush nuk mund ta ndalojë këtë shpallje të ligjshme të martesës.
Gjykimi sanksionon lidhjen martesore me dekretin e tij; askush nuk mund të shohë marrëzi ose gabim në martesë. Mirësia garanton se ky është bashkim dashurie, sepse pa dashuri fejesa është skllavëri dhe jo bekueshmëri. Ndërkohë, dhembshuria buzëqesh dhe madje këndon; po, ajo shumëzohet në “dhembshuri,” prej hirit të bollshëm të këtij bashkimi të shenjtë. Besnikëria është nëpunësi i gjendjes civile dhe regjistron martesën dhe Fryma e Shenjtë i thotë amen teksa i premton t’i mësojë zemrës së fejuar njohurinë e shenjtë të nevojshme për fatin e saj të lartë. Çfarë premtimi!
23 korrik (Absolutisht asnjë kujtim)
“Nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre.”
{#Hebrenjve 10:17}
Sipas kësaj besëlidhjeje të hirshme Zoti i trajton njerëzit e Tij sikur të mos kishin mëkatuar kurrë. Praktikisht, Ai harron të gjithë shkeljet e tyre. Mëkate të çdo lloji Ai i trajton sikur të mos kishin qenë kurrë; sikur të ishin fshirë krejtësisht prej memories së Tij. O mrekulli e hirit! Perëndia këtu bën atë që në disa pikëpamje është e pamundur për Të. Mëshira e Tij vepron mrekulli që tejkalojnë çdo mrekulli tjetër.
Perëndia ynë nuk e merr parasysh mëkatin tonë tani që flijimi i Jezusit ka ratifikuar besëlidhjen. Ne mund të gëzohemi në Të pa pasur frikë se zemërimi i Tij do të provokohet kundra nesh për shkak të shkeljeve tona. Shiko! Ai na vë mes bijve; Ai na pranon si të drejtë; Ai gjen ëndje në ne sikur të ishim në mënyrë të përkryer të shenjtë. Ai madje na vendos me mirëbesim në pozicione të larta; na bën ruajtës të nderit të Tij, administratorë të gurëve të çmuar të kurorës, kujdestarë të ungjillit. Ai na quan të denjë dhe na jep një shërbesë; kjo është prova më e lartë dhe më e veçantë se Ai nuk sjell në mendje mëkatet tona. Edhe kur falim një armik, ne jemi shumë të ngadalshëm për t’i mirëbesuar atij; ne e gjykojmë të pakujdesshme që të veprojmë në këtë mënyrë. Por Zoti harron mëkatet tona dhe na trajton sikur të mos ishim hallakatur kurrë. O shpirti im, çfarë premtimi që është ky! Besoje atë dhe ji i lumtur.
24 korrik (Pastërti e përkryer)
“Kush fiton do të vishet me rroba të bardha.”
{#Zbulesa 3:5}
Luftëtar i kryqit,vazhdo të luftosh! Mos u preh kurrë derisa fitorja jote të përmbushet, sepse shpërblimi yt i përjetshëm do të jetë i denjë për një jetë të tërë beteje. Shiko, këtu ka pastërti të përkryer për ty! Disa në Sardis i ruajtën rrobat e tyre të pafëlliqura dhe shpërblimi i tyre ka për të qenë i panjollë. Shenjtëri e përkryer është çmimi i thirrjes sonë të lartë; le të mos e humbasim atë.
Shiko, këtu ka gëzim! Do të veshësh rroba feste, ashtu si njerëzit i veshin me raste martesash; do të vishesh me ngazëllim dhe do të shkëlqesh me gëzim. Përpjekje të dhimbshme do të përfundojnë në paqe ndërgjegjeje dhe gëzim në Zotin.
Shiko, këtu ka fitore! Do të kesh triumfin tënd. Palma, kurorë dhe rrobë e bardhë do të jenë shpërblimi yt; do të trajtohesh si një fitimtar dhe i njohur si i tillë prej vetë Zotit.
Shiko, këtu ka veshje priftërore! Do të qëndrosh përpara Zotit me të tilla petka si ato që veshën bijtë e Aronit; do të paraqesësh flijimet e falënderimit dhe do të afrohesh te Zoti me një temjan lëvdimi. Kush nuk do të luftojë për një Zot që i jep të tilla ndere të mëdha edhe më të voglit prej shërbëtorëve të Tij besnikë? Kush nuk do të vishej me rrobën e një të çmenduri për hir të Krishtit, duke ditur se Ai do të na veshë me lavdi?
25 korrik (Asgjë për të na alarmuar)
“Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve.”
{#Danieli 12:13}
Ne nuk mund të kuptojmë dot të gjitha profecitë, por megjithatë i shikojmë ato me kënaqësi dhe jo me frikë. Nuk mund të ketë asgjë në dekretin e Atit që duhet me të drejtë të alarmojë fëmijën e Tij. Edhe sikur neveria e shkretimit të vijë, prapëseprapë besimtari i vërtetë nuk do të ndotet; përkundrazi ai do të pastrohet, do të bëhet i bardhë dhe do të sprovohet. Edhe sikur toka të digjej e tëra asnjë erë tymi nuk do të vinte mbi të zgjedhurit. Mes përplasjes së materies dhe rrënimit të botëve, Zoti Jehovah do t’i ruajë ata që i përkasin.
Qetësisht të vendosur në detyrë, trima në konflikt, të duruar në vuajtje, le të vazhdojmë rrugën, duke e ruajtur atë dhe as duke u shmangur prej saj as duke u sorollatur në të. Fundi do të vijë; le të vazhdojmë në rrugën tonë derisa të vijë. Prehja do të jetë e jona. Të gjitha gjërat e tjera do të lëkunden sa andej këndej, por themeli ynë qëndron i sigurtë. Perëndia qëndron në dashurinë e Tij dhe prandaj ne qëndrojmë në të. Paqja jonë është dhe do të jetë përherë si një lum. Një risk në Kananin qiellor është yni dhe ne do qëndrojmë në të, çfarë do që të ndodhë. Perëndia i Danielit do t’i japë një risk të vlershëm të gjithë atyre që guxojnë të jenë të vendosur për të vërtetën dhe shenjtërinë ashtu si ishte Danieli. Asnjë strofull luanësh nuk do të na heqë trashëgiminë tonë të sigurtë.
26 korrik (Ndryshim emri)
“Atë ditë do të ndodhë, thotë Zoti, që ti do të më quash: “Burri im (Ishi)”, dhe nuk do të më quash më: “Baali im”. Do të heq nga goja e saj emrat e Baalëve dhe nuk do t’i kujtojnë më emrat e tyre.”
{#Osea 2:16,17}
Ajo ditë ka ardhur. Ne e shikojmë Perëndinë tonë jo më si Baali, zotërinë tonë tiran dhe padronin tonë të fuqishëm, sepse ne nuk jemi nën ligj, por nën hir. Ne mendojmë tani për Jehovain, Perëndinë tonë, si Ishin tonë, burrin tonë të dashur, zotërinë tonë në dashuri, të afërmin tonë në lidhje marrëdhënie të shenjtë. Ne nuk e adhurojmë Atë më pak, por e duam më shumë. Ne nuk i shërbejmë Atij më pak bindshëm, por i shërbejmë Atij për një arsye më të lartë dhe më të dashur. Ne nuk dridhemi më nën fshikullën e Tij, por gëzohemi në dashurinë e Tij. Skllavi është kthyer në një fëmijë dhe detyra në kënaqësi.
A është kështu me ty, lexues i shtrenjtë? A ka flakur hiri jashtë frikën prej skllavi dhe a ka ngulitur dashurinë birërore? Sa të lumtur që jemi ne në një përjetim të tillë! Tani ne e thërrasim Shabatin një ëndje dhe adhurimi nuk është kurrë lodhje. Lutja tani është një privilegj dhe lëvdimi është një çlodhje. Të bindesh është parajsë; të japësh për kauzën e Perëndisë është një banket. Kështu të gjitha gjërat bëhen të reja. Goja jonë është e mbushur me këngë dhe zemra jonë me melodi. Bekuar qoftë Ishi ynë qiellor përherë e përherë.
27 korrik (Më shumë se thjesht fjalë)
“Unë do t’ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit.”
{#Veprat 13:34}
Asgjë prej njeriut nuk është e sigurtë, por çdo gjë prej Perëndisë është e tillë. Veçanërisht janë mëshirat e besëlidhjes mëshira të sigurta ashtu si tha Davidi, “një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt.”
Ne jemi të sigurtë se Zoti e ka me gjithë mend mëshirën e Tij. Ai nuk foli thjesht fjalë: ka thelb dhe të vërtetë në secilin prej premtimeve të Tij. Mëshirat e Tij janë mëshira me të vërtetë. Edhe sikur një premtim të duket sikur do të bjerë poshtë për shkak të vdekjes, prapëseprapë kurrë nuk do të ndodhë, kështu sepse Zoti i mirë do ta përmbushë fjalën e Tij.
Jemi të sigurtë se Zoti do t’i falë mëshira të premtuara të gjithë besëlidhësve të Tij. Ato do t’i vijnë në kohën e duhur të gjithë të zgjedhurve të Zotit. Ato janë të sigurta për të gjithë pasardhjen, nga më i vogli deri te më i madhi.
Jemi të sigurtë se Zoti do të vazhdojë mëshirat e Tij ndaj popullit të Tij. Ai nuk jep dhe merr. Atë që na ka dhënë është shenja e më shumë akoma. Atë që nuk e kemi marrë akoma është po aq e sigurtë sa ajo që ka ardhur tashmë; prandaj, le të presim përpara Zotit dhe të jemi të qetë. Nuk ka asnjë arsye të justifikueshme për dyshimin më të vogël. Dashuria, fjala dhe besnikëria e Perëndisë janë të sigurta. Shumë gjëra janë të dyshimta, por për Zotin ne këndojmë—
“Sepse mëshirat e Tij do zgjasin
Përherë besnike, përherë të sigurta.”
28 korrik (Përulu dhe do të lartësohesh)
“Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t`ju lartësojë në kohën e duhur.”
{#1 Pjetri 5 :6}
Kjo është njëlloj me një premtim; nëse përkulemi poshtë, Zoti do të na ngrejë lart. Përulësia shpie në nderim; nënshtrimi është rruga e lartësimit. Po ajo dorë e Perëndisë që na ngjesh poshtë po pret që të na ngrejë kur jemi të përgatitur të mbajmë bekimin. Ne përkulemi për të zotëruar. Shumë bëhen urë para njerëzve dhe prapëseprapë humbasin patronazhin që e dëshirojnë me zjarr, por Ai që përulet nën dorën e Perëndisë nuk do të dështojë të pasurohet, ngrihet, mbështetet dhe ngushëllohet prej përherë Të Hirshmit. Është zakon i Jehovait të hedhë poshtë krenarin dhe të ngrejë të përulurin.
Prapëseprapë ka një kohë për veprën e Zotit. Ne duhet tani të përulim veten tonë madje edhe në këtë çast; dhe jemi të shtrënguar të vazhdojmë kështu edhe sikur Zoti vë apo jo dorën e Tij pikëlluese mbi ne. Kur Zoti godet, është detyra jonë e veçantë të pranojmë qortimin me nënshtrim të thellë. Por përsa i përket lartësimit tonë prej Zotit, ai mund të vijë vetëm “në kohën e duhur”, dhe Perëndia është gjykatësi më i mirë i asaj dite dhe ore. A klithim padurim për bekimin? A do të dëshironim me ngut një nder? Ku jemi vallë? Me siguri që nuk jemi me të vërtetë të përulur ose përndryshe do të prisnim me nënshtrim të qetë. Le të bëjmë kështu.
29 korrik (Ai dërrmon armikun tonë)
“Ai ka dëbuar armikun tënd.”
{#Sofonia 3 :15}
Çfarë dëbimi që ishte ky! Satanai ka humbur fronin e tij në natyrën tonë po ashtu edhe si humbi vendin e tij në qiell. Zoti ynë ka shkatërruar pushtetin mbretërues të armikut mbi ne. Ai mund të na shqetësojë, por ama nuk mund të na quajë si të tijët. Vargonjtë e tij nuk janë më mbi frymët tona; Biri na ka bërë të lirë dhe jemi me të vërtetë të lirë. Akoma është krye-armiku akuzuesi i vëllezërve, por edhe prej këtij pozicioni Zoti ynë e ka përzënë. Avokati ynë e bën të heshtë akuzuesin tonë. Zoti qorton armiqtë tanë dhe merr në mbrojtje kauzat e shpirtit tonë kështu që asnjë dëm nuk vjen prej akuzave të djallit.
Si tundues, fryma e ligë akoma na sulmon dhe përvidhet në mendjet tona, por që atje gjithashtu ai është dëbuar përsa i përket epërsisë së tij të mëparshme. Ai përdridhet si një gjarpër, por nuk mund të sundojë si një sovran. Ai vërsulet me mendime blasfemuese kur gjen rastin, por çfarë lehtësimi që është kur i thuhet të qetësohet dhe bëhet t’ia mbathë fshehurazi si një qen rruge i rrahur me kamxhik! Zot, bëj këtë për këdo që në këtë kohë është i shqetësuar dhe i lodhur prej lehjeve të tij. Dëbo armikun e tyre dhe ji i lavdishëm në sytë e tyre. Zot, ti e ke hedhur poshtë atë; hidhe tutje. Oh sikur ta flakësh një herë e përgjithmonë prej botës!
30 korrik (Premtim takimi të ardhshëm)
“Unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet.”
{#Gjoni 16 :22}
Me siguri që Ai do vijë një herë të dytë dhe atëherë kur të na shohë dhe kur ta shikojmë do të ketë gëzime me të vërtetë. Oh për atë kthim të gëzueshëm! Por ky premtim është duke u përmbushur çdo ditë në një tjetër kuptim. Zoti ynë i hirshëm ka shumë “përsëri” në sjelljen e Tij me ne. Ai na dha falje dhe na shikon përsëri dhe përsërit fjalën shlyese teksa mëkate të freskëta na brengosin. Ai na ka zbuluar pranimin tonë para Perëndisë dhe kur besimi ynë në këtë bekim dobësohet pak, Ai vjen te ne përsëri dhe përsëri dhe thotë, “Paqja qoftë me ju”; dhe zemrat tona janë të ngazëlluara.
Të dashur, të gjitha mëshirat tona të kaluara janë dëshmi të mëshirave të ardhshme. Nëse Jezusi ka qenë me ne, Ai do të na shohë përsëri. Mos shiko asnjë favor të mëparshëm si një gjë të vdekur dhe të varrosur, për t’u vajtuar, por shikoje si një farë e mbjellë, që do të rritet dhe do të nxjerrë kokën lart prej pluhurit dhe do të thërrasë, “Do t’ju shoh përsëri.” A janë kohërat të errëta ngaqë Jezusi nuk është me ne ashtu si më përpara? Le të marrim kurajë, sepse Ai nuk do të vonohet shumë. Këmbët e Tij janë si ato të një kaprolli a dreri të ri dhe së shpejti do ta sjellin te ne. Prandaj le të fillojmë të jemi të gëzuar përderisa Ai na thotë edhe tani, “Do t’ju shoh përsëri.”
31 korrik (Thirrje dhe çlirim)
“Kërkomë ditën e fatkeqësisë, Unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh.”
{#Psalmi 50 :15}
Ky është një premtim me të vërtetë!
Këtu ka një rast urgjent—”Ditën e fatkeqësisë.” Është errët në muzg në një ditë të tillë dhe çdo orë duket më e zezë se ora e mëparshme. Atëherë ky premtim është me vend: është i shkruar për ditën me re.
Këtu ka këshillë begenisëse, “Kërkomë.” Ne nuk duhet pse të na nevojitet kjo nxitje; duhet të jetë zakoni ynë i vazhdueshëm gjithë ditën dhe çdo ditë. Çfarë mëshire të kesh liri të kërkosh Perëndinë! Çfarë urtësie ta përdorësh mirë! Sa çmenduri të vraposh andej këndej për te njerëzit! Zoti na fton të parashtrojmë rastin tonë para Tij dhe me siguri që ne nuk do të hezitojmë të bëjmë kështu.
Këtu ka inkurajim qetësues: “Unë do të të çliroj.” Cili do qoftë telashi, Zoti nuk bën përjashtime, por premton çlirim të plotë, të sigurtë, të lumtur. Ai vetë do të realizojë çlirimin tonë me anë të vetë dorës së Tij. Ne e besojmë këtë gjë dhe Zoti nderon besimin.
Këtu ka një rezultat përfundimtar: “Ti do të më lëvdosh.” Ah! këtë ne do ta bëjmë shumë bollshëm. Kur të na ketë çliruar ne do ta lëvdojmë me zë të lartë dhe përderisa Ai patjetër që do ta bëjë, le të fillojmë ta lëvdojmë menjëherë.