1 maj (Plot me këngë)
“Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.”
{#Isaia 55 :12}
Kur mëkati është i falur, pikëllimi ynë më i madh ka mbaruar dhe kënaqësia jonë më e vërtetë fillon. I tillë është gëzimi që Zoti shtie te të pajtuarit e Tij sa derdhet dhe mbush të gjithë natyrën me ëndje. Bota materiale ka melodi të fjetur në vetvete dhe një zemër e ripërtëritur di se si ta nxjerrë atë jashtë dhe ta bëjë kumbuese. Krijimi është organoja dhe njeriu i hirshëm zbulon tastet e tij, vë dorën mbi to dhe zgjon të gjithë sistemin e universit në harmoni lëvdate. Malet dhe kodrat dhe objekte të tjera të mëdha, janë, sikur të ishin, basi i korit; ndërsa pemët e pyllit dhe të gjitha gjërat që kanë jetë, ngrenë motivin e këngës melodike.
Kur fjala e Perëndisë bëhet që të lulëzojë mes nesh dhe shpirtrat shpëtohen, atëherë çdo gjë duket plot me këngë. Kur dëgjojmë rrëfimet e besimtarëve të rinj dhe dëshmitë e shenjtorëve të mirëmësuar, bëhemi kaq të gëzuar sa na duhet të lëvdojmë Zotin dhe më pas duket sikur shkëmbinjtë dhe kodrat, pyjet dhe fushat i bëjnë jehonë notave tona të gëzueshme dhe e kthejnë botën në orkestër. Zot, në këtë ditë të lumtur maji më shpjer jashtë në botën tënde melodike po aq i pasur në lëvdim sa një bilbil kur këndon me gjithë zërin e tij.
2 maj (Mbjellje shpirtërore)
“Ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.”
{#Galatasve 6 :8}
Të mbjellësh duket si një punë me humbje, sepse ne e hedhim farën e mirë në tokë për të mos e parë më kurrë atë. Të mbjellësh për Frymën duket një punë shumë ëndërrimtare, sepse mohojmë veten tonë dhe në dukje nuk fitojmë asgjë prej kësaj. Prapëseprapë nëse ne mbjellim për Frymën duke mësuar të jetojmë për Perëndinë, duke kërkuar t’i bindemi vullnetit të Perëndisë dhe duke u përpjekur të përkrahim nderin e Tij, atëherë nuk do të mbjellim më kot. Jeta do të jetë shpërblimi ynë, madje jeta e përjetshme. Këtë ne e gëzojmë teksa hyjmë në njohurinë e Perëndisë, në shoqërimin e Perëndisë dhe në gëzimin e Perëndisë. Kjo jetë rrjedh vazhdimisht si një lum përherë duke u zgjeruar e duke u thelluar derisa na shpie në detin e lumturisë së pafundme, ku jeta e Perëndisë është e jona përjetë e përjetë.
Këtë ditë le të mos mbjellim për mishin tonë, sepse korrja do të jetë korruptimi, përderisa mishi gjithmonë prihet në atë drejtim, por me vetëpërmbajtje të shenjtë le të jetojmë për qëllimet më të larta, më të pastra dhe më shpirtërore duke kërkuar të nderojmë Zotin tonë shumë të shenjtë duke iu bindur Frymës së Tij shumë të hirshme. Çfarë korrje do të jetë ajo kur do të korrim jetën e përjetshme! Çfarë duajsh lumnie të pafund që do të korren! Çfarë festivali që do të jetë ajo korrje! Zot, na bëj korrës të tillë, për hir të Birit Tënd.
3 maj (Dëgjo sinjalin)
“Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit,hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e Filistejve.”
{#2 Samueli 5 :24}
Ka shenja të lëvizjes së Zotit që duhet të na vënë në lëvizje. Fryma e Perëndisë fryn ku të dojë dhe ti dëgjon zhurmën. Atëherë është koha për ne të jemi më shumë se kurrë zgjuar. Ne duhet të kapim mundësinë e artë dhe të bëjmë gjithçka që mundim. Na përket ne të luftojmë filistejtë në çdo kohë, por kur Vetë Zoti del përpara nesh, atëherë ne duhet të jemi veçanërisht trima në luftë.
Flladi lëvizi majat e pemëve dhe Davidi dhe njerëzit e tij e morën këtë si sinjalin për mësymje dhe ndërsa përparuan,Vetë Zoti goditi filistenjtë. Oh, këtë ditë Zoti na dhëntë një rast të mirë për të folur për Të me shumë prej miqve tanë! Le t’i mbajmë sytë hapur për të përfituar nga rasti plot shpresë kur ky vjen. Kush e di vallë; ndoshta sot mund të jetë një ditë sihariqi; një periudhë e fitimit të shpirtrave. Le ta mbajmë veshin tonë hapur për të dëgjuar fëshfërimën dhe mendjet tona gati për t’iu bindur sinjalit. A nuk është ky premtim “atëherë Zoti do të dalë para teje,” një nxitje e mjaftueshme për të guxuar? Përderisa Zoti del përpara nesh, ne nuk guxojmë të zmbrapsemi.
4 maj (Fitore së fundi)
“Mos u gëzo me mua o armiku im! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime.”
{#Mikea 7 :8}
Kjo mund të shprehë ndjenjën e një burri ose të një gruaje të shkelur dhe të shtypur. Armiku ynë mund të fikë dritën tonë për një farë periudhe. Ka një shpresë të sigurtë për ne në Zotin; dhe nëse jemi duke i mirëbesuar Atij dhe duke mbajtur fort integritetin tonë, periudha jonë e dekurajimit dhe errësirës do të mbarojë së shpejti. Fyerjet e armikut janë vetëm për një çast. Zoti do të kthejë shpejt qeshjen e tyre në vajtim dhe psherëtimën tonë në këngë. Edhe çfarë pastaj sikur armiku i madh i shpirtrave të mund të triumfojë për një farë kohe mbi ne, ashtu si ka triumfuar mbi njerëz më të mirë se ç’jemi ne, prapëseprapë le të marrim zemër, sepse edhe pak dhe do ta mposhtim.
Ne do të ngrihemi prej rënies sonë, sepse Perëndia ynë nuk ka rënë dhe Ai do na ngrejë lart. Ne nuk do të qëndrojmë në errësirë, edhe pse në këtë çast ne jemi të ulur aty. sepse Zoti ynë është burimi i dritës dhe Ai shpejt do të na sjellë një ditë të gëzueshme. Le të mos dëshpërohemi ose as le të dyshojmë. Një rrotullim rrote dhe ai që është poshtë do të gjendet në majë. Mjerë ata që qeshin tani, sepse ato do mbajnë zi dhe do të qajnë kur mburrja e tyre do të kthehet në përbuzje të përjetshme. Por lum ata që janë vajtues të shenjtë, sepse do të ngushëllohen në mënyrë hyjnore.
5 maj (Pse të mbetesh skllav?)
“Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria.”
{#Ligji i përtërirë 30 :3}
Njerëzit e Perëndisë mund t’ia shesin veten skllavërisë me anë të mëkatit. Ky është një fryt shumë i hidhur i një rrënje tepër të hidhur. Çfarë skllavërie që është kur fëmija i Perëndisë i shitet mëkatit, i mbajtur në zinxhirë prej satanait, pa gëzuar lirinë, i zhvatur prej fuqisë së tij në lutje dhe prej ëndjes së tij në Zotin! Le të rrimë zgjuar që të mos biem në një skllavëri të tillë, por nëse kjo na ka ndodhur tashmë, le të mos dëshpërohemi në asnjë mënyrë. Por ne nuk mund të mbahemi përherë në skllavëri. Zoti Jezus nuk pagoi një çmim tepër të lartë për shlyerjen tonë për të na lënë në dorën e armikut.
Rruga për në liri është, “kthehu tek Zoti, Perëndia yt.” Atje ku gjetëm së pari shpëtimin do ta gjejmë përsëri. Në këmbën e kryqit të Krishtit duke rrëfyer mëkatin do të gjejmë faljen dhe çlirimin. Për më tepër, Zoti kërkon nga ne që t’i bindemi zërit të Tij sipas gjithçkaje që Ai na ka urdhëruar dhe ne duhet ta bëjmë këtë me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë dhe atëherë robëria jonë do të marrë fund. Shpesh depresioni i frymës dhe mjerimi i madh i shpirtit hiqen sapo ne braktisim idhujt tanë dhe i përkulemi në bindje Perëndisë tonë të gjallë. Ne nuk kemi pse të jemi skllevër. Ne mund të kthehemi në qytetarinë e Sionit dhe këtë mund ta bëjmë sa më shpejt. Zot, na kthe nga skllavëria!
6 maj (Shërim nga zilia)
“Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.”
{#Fjalët e urta 23:17,18}
Kur ne shikojmë të këqijtë të begatojnë, jemi të prirur t’i kemi zili. Kur dëgjojmë zhurmën e haresë së tyre dhe fryma jonë është e rëndë, gati sa mendojmë se risku i tyre është më i miri. Kjo është çmenduri dhe mëkat. Sikur t’i njihnim më mirë dhe veçanërisht sikur të sillnim ndërmend fundin e tyre, atëherë do të na vinte keq për ta. Shërimi nga zilia qëndron në të jetuarin nën një ndijim të vazhdueshëm të pranisë hyjnore, duke adhuruar Perëndinë dhe duke pasur shoqërim me Të gjatë gjithë ditës, sado e gjatë që mund të duket dita.
Feja e vërtetë e ngre shpirtin në një vend më të lartë, ku gjykimi bëhet më i qartë dhe dëshirat janë më të larta. Aq më shumë ka prej gjërave të qiellit në jetët tona, aq më pak do të lakmojmë prej gjërave të tokës. Frika e Perëndisë nxjerr jashtë zilinë e njerëzve. Një konsiderim i qetë i së ardhmes është goditja vdekjeprurëse ndaj zilisë. Pasuria dhe lavdia e të paudhit janë shfaqje e kotë. Kjo dukje pompoze vetëtin për një çast dhe më pas shuhet. E si mund të ketë mëkatari një risk më të mirë ndërsa e zë gjykimi? Sa për njeriun e perëndishëm, fundi i tij është paqe dhe bekueshmëri dhe asnjë nuk mund t’ia rrëmbejë gëzimin; prandaj, le të heqë dorë nga zilia dhe të mbushet me kënaqësi të ëmbël.
7 maj (Le të mos mbesë asnjë e ligë)
“Prandaj asgjë nga ato që janë caktuar të shkatërrohen të mos ju ngjitet në dorë, me qëllim që Zoti të heqë dorë nga zjarri i zemërimit të tij dhe të tregohet i dhimshur t`i vijë keq për ty dhe të të shumëzojë, ashtu siç u është betuar etërve tuaj.”
{#Ligji i përtërirë 13:17}
Izraeli duhet të mposhtë qytete idhujtare dhe të shkatërrojë të gjithë plaçkën, duke parë gjithçka që është fëlliqur prej idhujtarisë si një gjë e mallkuar për t’u djegur me zjarr. Tani, çdo lloj mëkati duhet të trajtohet prej të krishterëve në të njëjtën mënyrë. Ne nuk duhet të lejojmë edhe një zakon të vetëm të lig të mbesë. Tani ka luftë të pamëshirshme me mëkatet e çdo lloji dhe çdo madhësie, qofshin të trupit, të mendjes ose të frymës. Ne nuk e shikojmë këtë heqje dorë prej së ligës si diçka që meriton mëshirë, por e shikojmë atë si një fryt i hirit të Perëndisë, të cilin nuk do të donim ta humbasim në asnjë mënyrë.
Kur Perëndia na bën që të mos kemi asnjë mëshirë ndaj mëkateve tona, atëherë Ai ka mëshirë të madhe për ne. Kur jemi të zemëruar me mëkatin, Perëndia nuk është më i zemëruar me ne. Kur ne shumëzojmë përpjekjet tona kundra paudhësisë, Zoti shumëzon bekimet tona. Udha e paqes, e rritjes, e sigurisë, e gëzimit në Krishtin Jezus do të gjendet duke ndjekur këto fjalë: “Asgjë nga gjërat e mallkuara të mos ju ngjiten në dorë.” Zot, më pastro këtë ditë. Zemërdhembshuri, begati, shtim dhe gëzim me siguri që do t’i jepet atyre që e largojnë tutje mëkatin me vendosmëri solemne.
8 maj (Ndihmë e kërkuar)
“Shkoni dhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë.”
{#Mateu 20:7}
Po, ka punë në vreshtin e Krishtit për trupat e plakur. Është ora e njëmbëdhjetë prapëseprapë Ai do të na lërë të punojmë. Çfarë hiri i madh që është ky! Me siguri që çdo njeri i moshuar duhet të kërcejë nga gëzimi prej kësaj ftese! Mbasi njerëzit janë të përparuar në vite askush nuk i do si punonjës; ata shkojnë nga dyqani në dyqan dhe punëdhënësit shikojnë flokët e tyre gri dhe tundin kokën. Por Jezusi do të marrë në punë njerëzit e moshuar dhe do t’i japë atyre pagë të mirë gjithashtu! Kjo është me të vërtetë mëshirë. Zot, ndihmo të ngarkuarit me vite të regjistrohen në shërbimin tënd pa as dhe një vonesë.
Por a do t’i japë rroga Zoti të moshuarve të lodhur? Mos e vini në dyshim. Ai thotë se do t’ju japë atë çfarë është e drejtë nëse punoni në fushën e Tij. Ai me siguri që do t’ju japë hir këtu dhe lavdi më pas. Ai do të dhurojë lehtësim të tanishëm dhe prehje të ardhshme; forcë të barabartë me ditët e juaja dhe një vizion lavdie kur nata e vdekjes afron. Të gjitha këto Zoti Jezus do t’ia japë po aq falas të moshuarit besimtar sa atij që hyn në shërbimin e Tij në rini. Le t’ia them këtë gjë ndonjë burri a grua të moshuar të pashpëtuar dhe t’i lutem Zotit t’i bekojë këto fjalë për hir të Jezusit. Ku mund të gjej njerëz të tillë? Do të rri syçelë për ta dhe me butësi do t’i shpall lajmin e mirë.
9 maj (Besim do të thotë gëzim)
“Po, zemra jonë do të gëzohet tek Ai, sepse kemi besim në emrin e Tij të shenjtë.”
{#Psalmi 33:21}
Rrënja e besimit prodhon lulen e gëzimit të zemrës. Mund të mos gëzohemi në fillim, por ama do të gëzimi do të vijë në kohën e duhur. Ne i mirëbesojmë Zotit kur jemi të trishtuar dhe në kohën e duhur Ai i përgjigjet mirëbesimit tonë në mënyrë të tillë sa besimi ynë sjell fryt dhe ne gëzohemi në Zotin. Dyshimi ushqen vuajtje, por mirëbesimi do të thotë gëzim me kalimin e kohës. Siguria e shprehur prej Psalmistit në këtë varg është me të vërtetë një premtim që mbahet nga duart e mirëbesimit të shenjtë. Oh paçim hir ta përvetësojmë atë. Nëse nuk gëzohemi në këtë çast, prapëseprapë do të gëzohemi po aq me siguri sa Perëndia i Davidit është Perëndia ynë.
Le të përsiatim mbi emrin e shenjtë të Zotit që t’i mirëbesojmë Atij më mirë dhe të gëzohemi më me gatishmëri. Ai është në karakter, i shenjtë, i drejtë, i vërtetë, i hirshëm, besnik dhe i pandryshueshëm. A nuk duhet ta vendosim besimin tonë te një Perëndi i tillë? Ai është i gjithëdijshëm, i plotfuqishëm dhe i kudopranishëm, a nuk mund të mbështetemi vallë tek Ai me gëzim? Po, ne do ta bëjmë këtë menjëherë dhe pa rezervë. Jehovah-Jireh do të sigurojë, Jehovah-Shalom do të dërgojë paqe, Jehovah-Tsidkenu do të justifikojë, Jehovah-Shammah do të jetë përherë afër dhe në Jehovah-Nissi do të mposhtim çdo armik. Ata që e njohin emrin Tënd do të kenë besim te Ti; dhe ata që kanë besim te Ti do të gëzohen te Ti o Zot.
10 maj (Ki frikë vetëm Perëndinë)
“Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu”?
{#Hebrenjve 13:6}
Ngaqë Zoti nuk do na lërë as nuk do të na braktisë kurrë, atëherë mund të jemi të kënaqur me të tilla gjëra që kemi. Përderisa Zoti është yni, ne nuk mund të lihemi pa një mik, pa një thesar dhe një vendbanim. Kjo siguri mund të na bëjë të ndjehemi krejtësisht të pavarur prej njerëzve. Nën një patronazh të tillë të lartë ne nuk ndjehemi të tunduar të bëhemi baltë para bashkëqytetarëve tanë dhe t’i kërkojmë atyre leje për të quajtur jetët tona të tonat, por atë çfarë ne themi e themi me kurajë dhe sfidojmë kundërshtimin.
Ai që ka frikë Perëndinë nuk ka frikë nga asgjë tjetër. Ne duhet të qëndrojmë me një tmerr të tillë prej Zotit të gjallë sa të gjitha kërcënimet që mund të përdoren prej përndjekësit më të lig nuk duhet të kenë më shumë efekt mbi ne se sa vërshëllima e erës. Njeriu në këto kohëra nuk mund të bëjë dhe aq shumë kundra nesh sa do të mundte kur apostulli shkroi vargun e kreut të kësaj faqeje. Rrotat e torturës dhe shtyllat e turrave së druve nuk janë më të kohës. Papa i madh nuk mund të djegë pelegrinët tani. Nëse ndjekësit e mësuesve të rremë na tallin dhe na përçmojnë, ne nuk habitemi nga kjo sepse njerëzit e kësaj bote nuk mund të duan farën qiellore. Çfarë atëherë? Ne duhet ta mbajmë përçmimin e botës. Ai nuk thyen kocka. Duke pasur Perëndinë si ndihmën tonë, le të jemi me kurajë dhe kur bota zien le të ziejë, por le të mos ta kemi frikë atë.
11 maj (Prit përfundimin)
“Një bandë grabitësish do të sulmojë Gadin, por edhe ai do t`i sulmojë këmba këmbës (ai do të dalë fitimtar në fund).”
{#Zanafilla 49:19}
Disa nga ne kanë qenë si fisi i Gadit. Kundërshtarët tanë për një farë kohe ishin tepër për ne, ata erdhën mbi ne si një bandë grabitësish. Po, dhe në atë çast ata na mposhtën; dhe ata u ngazëllyen shumë nga fitorja e tyre e përkohshme. Kështu ata vetëm provuan pjesën e parë të trashëgimisë familjare se është me të vërtetë e jona, sepse njerëzit e Krishtit, ashtu si Dani, do të kenë një bandë që do t’i mposhtë. Të mposhtesh është shumë e dhimbshme dhe ne do të ishim dëshpëruar sikur të mos kishim besuar rreshtin e dytë të bekimit të etërve tanë. “Ai do të dalë fitimtar në fund.” “Gjithçka është mirë kur mbaron mirë,” thotë poeti dhe ai foli të vërtetën. Një luftë duhet gjykuar jo prej sukseseve ose dështimeve të para, por prej asaj që ndodh “në fund.” Zoti do t’i japë të vërtetës dhe drejtësisë fitore “në fund”; dhe ashtu si Buniani thotë, kjo do të thotë përherë, sepse asgjë nuk mund të vijë mbas fundit.
Atë për të cilën kemi nevojë është këmbëngulje e durueshme në veprat e mira, mirëbesim të qetë në Kapitenin tonë të lavdishëm. Krishti, Zoti ynë Jezus do të na mësojë artin e Tij të shenjtë për ta bërë fytyrën gur të fortë për të vazhduar përmes punës dhe vuajtjes derisa të mund të themi, “U krye.” Aleluja. Fitore! Fitore! Ne i besojmë premtimit. “Ai do të dalë fitimtar në fund.”
12 maj (Shërbëtorët, të nderuar)
“Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.”
{#Fjalët e urta 27:18}
Ai që kujdeset për fikun siguron fiq për dhimbjet e tij dhe ai që i shërben një padroni të mirë ka nderin si shpërblimin e tij. Me të vërtetë që Jezusi është më i miri prej zotërve dhe është një nder të lejohesh të kryesh edhe veprimin më të vogël për hir të Tij. T’i shërbesh disa zotërve është njësoj si të përkujdesesh për një mollë të egër dhe të hash mollë të egra si shpërblim, por t’i shërbesh Zotit tim Jezus do të thotë të kujdesesh për një fik me fiqtë më të ëmbël. Shërbimi për Të është në vetvete ëndje, të vazhdosh në këtë shërbim është ngritje në detyrë, suksesi në shërbim, është bekueshmëri këtu poshtë dhe shpërblimi është lavdi lart.
Nderet tona më të mëdha do të mblidhen në atë periudhë kur fiqtë do të jenë të pjekur, domethënë në botën e ardhshme. Engjëjt që janë tani shërbyesit tanë do të na shpien në jetën e përtejme kur puna jonë e ditës të ketë përfunduar. Parajsa, atje ku Jezusi është, do të jetë banesa jonë e nderuar, lumnia e përjetshme, risku ynë i nderuar dhe Vetë Zoti kohëzënia jonë e nderuar. Kush mund të përftojë vallë kuptimin e plotë të këtij premtimi—“Ai që i shërben zotit të tij do të nderohet”? Zot, më ndihmo të pres Mjeshtrin tim. Le të lë mënjanë çdo ide nderi deri në çastin kur Ti Vetë do të më nderosh. Fryma Jote e Shenjtë më bëftë një punëtor dhe shërbyes të përulët dhe të duruar!
13 maj (Dita është afër)
“Dhe do t’i jap atij yllin e mëngjesit.”
{#Zbulesa 2:28}
Derisa dita të agojë dhe hijet e errësirës të ikin tutje, çfarë bekimi që është të shikosh në Jezusin “yllin e mëngjesit!” Më kujtohet kur lexojmë në gazeta përrallën me mbret se ylli i Betlehemit qe shfaqur përsëri. Mbasi kërkojmë të dimë më shumë zbulojmë se ishte vetëm “ylli i mëngjesit”, por fundi i fundit nuk qe bërë ndonjë gabim i madh. Është më mirë të shikosh Jezusin si diellin, por kur nuk mund të bëjmë kështu, gjëja tjetër më e mirë është ta shikosh Atë si atë yll që profetizon ditën dhe tregon se drita e përjetshme është shumë pranë. Nëse nuk jam sot çfarë shpresoj të jem, prapëseprapë shikoj Jezusin dhe kjo më siguron mua se një ditë do të jem si Ai. Një shikim i Jezusit me anë të besimit është kapari i soditjes së Tij në lavdinë e Tij dhe do të thotë të transformohesh sipas imazhit të Tij.
Nëse nuk kam këtë çast gjithë dritën dhe gëzimin që do të dëshiroja, prapëseprapë do ta kem atë, sepse po me aq siguri sa shikoj yllin e mëngjesit do të shikoj ditën. Ylli i mëngjesit nuk është kurrë larg prej diellit. Eja, shpirti im, a të ka dhënë Zoti yllin e mëngjesit? A e mban fort atë të vërtetë, hir, shpresë dhe dashuri që Zoti të ka dhënë? Atëherë përbrenda teje ke agimin e lavdisë së ardhshme. Ai që të bën të mposhtësh të ligën dhe të këmbëngulësh në drejtësi, të ka dhënë këtë yll të mëngjesit.
14 maj (Kirurgji shëruese)
“Ejani,të kthehemi tek Zoti, sepse Ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë.”
{#Osea 6:1}
Është mënyra e veprimit të Zotit të copëtojë përpara se të shërojë. Kjo është dashuria e sinqertë e zemrës së Tij dhe kirurgjia e sigurtë e dorës së Tij. Ai shtyp gjithashtu përpara se të forcojë ose përndryshe do të ishte punë e pasigurt. Ligji vjen përpara ungjillit; ndijimi i nevojës përpara plotësimit të saj. A është lexuesi tani nën dorën bindëse, shtypëse të Frymës? A ka marrë ai përsëri frymën e skllavërisë për të pasur frikë? Ky është kusht paraprak shpëtimtar për një shërim dhe forcim të vërtetë ungjilli.
Mos u dëshpëro, zemër e shtrenjtë, por eja te Zoti me gjithë plagët e tua çallata çallata, vurratat e zeza dhe varrat e tua të hapura. Ai vetëm mund të shërojë dhe Ai ka ëndje të madhe ta bëjë këtë gjë. Është detyra e Zotit tonë të forcojë zemër-thyerin dhe Ai e bën këtë në mënyrë të lavdishme nuk ka se ku më mirë. Le të mos vonojmë, por menjëherë të kthehemi te Zoti prej të cilit jemi larguar. Le t’i tregojmë Atij plagët tona të hapura dhe t’i përgjërohemi që të njohë vetë veprën e Tij dhe ta përfundojë. A do të bënte një kirurg një çarje dhe më pas ta lërë pacientin e tij të gjakosë për vdekje? A do të shembte Zoti shtëpinë tonë të vjetër dhe më pas të refuzonte të na ndërtojë një më të mirë? A e shton pa arsye mjerimin e shpirtrave të gjorë të ankthshëm? Qoftë kjo larg prej Teje, o Zot.
15 maj (Vendet e larta të Perëndisë)
“Do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin Tim.”
{#Psalmi 91 :14}
A ma thotë mua këtë Zoti? Po, nëse e njoh emrin e Tij. Bekuar qoftë Zoti. Nuk jam i huaj për Të. E kam provuar dhe e kam njohur si të vërtetë dhe prandaj, i mirëbesoj Atij me të vërtetë. E njoh emrin e Tij si një Perëndi mëkat-urryes, sepse me anë të fuqisë bindëse të Frymës së Tij jam mësuar se Ai kurrë nuk do të mbyllë sytë për mëkatin. Por unë e njoh Atë gjithashtu si Perëndinë mëkatfalës në Krishtin Jezus, sepse Ai më ka falur të gjitha shkeljet. Emri i Tij është besnikëri dhe e di këtë, sepse Ai kurrë nuk më ka braktisur edhe pse telashet kanë qenë të shumta për mua.
Kjo njohuri është një dhuratë e hirit dhe Zoti e bën këtë të jetë arsyeja pse Ai dhuron një tjetër dhuratë të hirit, domethënë, ngritjen lart. Ky është hir mbi hir. Vëre se nëse ne ngrihemi lart, pozicioni mund të jetë i rrezikshëm, por nëse Zoti na vendos atje, atëherë është i sigurtë. Ai mund të na ngrejë në dobishmëri të madhe, në përjetime të larta, në sukses në shërbim, në pozicion drejtuesi në punë, në një pozicion ati mes të vegjëlve. Nëse Ai nuk bën këtë, Ai mund të na çojë lart nëpërmjet shoqërimit të afërm, të kuptuarit të mprehtë, triumfit të shenjtë dhe paraprirjes së hirshme të lavdisë së përjetshme. Kur Perëndia na ngre lart, satanai vetë nuk mund të na tërheqë poshtë. Oh, qoftë kështu me ne përgjatë gjithë kësaj dite!
16 maj (Ne marrim ashtu si japim)
“Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.”
{#Mateu 5:7}
Nuk është e përshtatshme që njeriu që nuk do të falë, të falet, as ai që nuk do t’i japë të varfrit, të ndihmohet në nevojat e tij. Zoti do të na masë me masën që përdorim dhe ata që kanë qenë zotër të rreptë dhe kreditorë të ashpër, do të zbulojnë se Perëndia do të sillet rreptë me ta. “Sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë.”
Këtë ditë le të përpiqemi të japim dhe të falim. Le të sjellim ndërmend këto dy fjalë—duro dhe përmbahu. Le të jemi të dhembshur, të sjellshëm dhe të butë. Le të mos ta interpretojmë vrazhdë sjelljen e njerëzve, as të jemi të vështirë në marrëveshje me njerëzit, as të kërkojmë më kot sherr me dikë, as të jemi të vështirë për t’i pëlqyer të tjerëve. Me siguri qe ne dëshirojmë të bekohemi dhe ne duam gjithashtu që të gjejmë mëshirë; le të jemi të mëshirshëm që të gjejmë mëshirë. Le të përmbushim kushtin që të mund të fitojmë lumninë. A nuk është një detyrë e këndshme të jesh i dhembshur? A nuk ka më shumë ëmbëlsi në të se sa të jesh i zemëruar dhe zemërngushtë? Të jesh i dhembshur përmban në vetvete një bekueshmëri! Për më tepër, marrja e mëshirës është një shpërblim i pasur. Çfarë tjetër do të mund të sugjeronte një premtim i tillë si ky? Ne tregojmë mëshirë ndaj të afërmit tonë borxhli dhe Zoti na fal “gjithë atë borxh.”
17 maj (Nuk kemi pse të kufizohemi)
“Njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.”
{#Fjalët e urta 28:10}
Libri i Fjalëve të urta është gjithashtu një Libër Premtimesh. Premtimet duhet të jenë fjalë të urta mes njerëzve të Perëndisë. Kjo është një gjë shumë e mrekullueshme. Ne nuk jemi të mësuar të mendojmë për të mirën tonë si trashëgimia jonë. E gjithë dashaligësia dhe dinakëria e armiqve tanë nuk mund të na shkatërrojnë dot; ata do të bien në gropën që kanë gërmuar vetë. Trashëgimia jonë është aq e patjetërsueshme sa ne nuk do të mbahemi jashtë prej saj as nuk do të dalim nga udha aq sa ta humbasim atë.
Por çfarë kemi tani? Ne kemi një ndërgjegje të qetë nëpërmjet gjakut të çmuar të Jezusit. Ne kemi dashurinë e Perëndisë të vendosur mbi ne përtej çdo ndryshimi. Ne kemi fuqi me Perëndinë në lutje sa herë që kemi nevojë. Ne kemi providencën e Perëndisë për të na ruajtur, engjëjt e Perëndisë për të na shërbyer dhe mbi të gjitha, Frymën e Perëndisë që banon brenda nesh. Në fakt, të gjitha gjërat janë tonat. “Gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha janë tonat.” Jezusi është i yni. Po, Triniteti i Shenjtë në unitet është i yni. Alelujah. Le të mos shqetësohemi as të qahemi, as të kufizohemi as të robtohemi në punë përderisa do të trashëgojmë të mirën. Le të jetojmë me Perëndinë tonë dhe të gëzohemi në Të gjatë gjithë ditës. Na ndihmo o Frymë e Shenjtë!
18 maj (Humbjet të kompensuara)
“Kështu do t’ju kompensoj për të korrat që ka ngrënë karkaleci.”
{#Joeli 2:25}
Po, ato vitet e humbura për të cilët psherëtijmë do të na kompensohen. Perëndia mund të na japë një hir të tillë të bollshëm sa të kthejë vitet që na mbesin në vite shumë të frytshme në krahasim me vitet e mungesës së ripërtëritjes prej të cilave vajtojmë me pendim të përulur. Karkalecat e pabesisë, e plogështisë dhe të botës shikohen tani prej nesh si një murtajë e tmerrshme. Oh sikur të mos kishin ardhur kurrë afër nesh! Zoti në mëshirën e Tij i ka larguar tashmë dhe ne jemi plot me zell për t’i shërbyer Atij. Bekuar qoftë emri i Tij, ne mund të bëjmë aq të korra hiresh shpirtërore sa djerrina jonë e mëparshme do të zhduket.
Nëpërmjet hirit të pasur ne mund të nxjerrim të mira nga përjetimet tona të hidhura dhe t’i përdorim ato për të paralajmëruar të tjerët. Ne mund të bëhemi më të rrënjosur në përulësi, në varësi fëmijërore dhe në frymë të penduar për shkak të dobësive tona të mëparshme. Nëse jemi më shumë syhapur, të zellshëm dhe të butë atëherë do të fitojmë prej humbjeve tona të vajtueshme. Vitet e humbura, me anë të një mrekullie dashurie, mund të rimëkëmben. A duket një favor i madh? Le të besojmë se do ta kemi e të jetojmë për të dhe akoma ne mund ta përjetojmë ashtu si Pjetri u bë një njeri shumë më i dobishëm mbasi mburrja e tij u shërua prej dobësisë së tij të zbuluar. Zot, na ndihmo me anë të hirit Tënd.
19 maj (Ne mund të flasim për Perëndinë)
“Prandaj kështu thotë Zoti: “Në rast se ti rikthehesh tek Unë, Unë do të rivendos dhe ti do të jesh para Meje. Në rast se ti ndan të çmuarën nga ajo që s’ka vlerë, ti do të jesh si goja Ime; ata do të kthehen te ti, por ti nuk duhet të kthehesh tek ata.”
{#Jeremia 15:19}
Jeremia i gjorë! Prapëseprapë pse e themi këtë gjë? Profeti vajtues ishte një prej shërbyesve më të zgjedhur të Perëndisë dhe i nderuar prej Tij mbi shumë të tjerë. Ai urrehej ngaqë fliste të vërtetën. Fjala që ishte kaq e ëmbël për të, ishte e hidhur për dëgjuesit e tij, prapëseprapë ai ishte i pranuar prej Zotit të Tij. Ai ishte urdhëruar të qëndronte në besnikërinë e tij dhe atëherë Zoti do të vazhdonte të fliste nëpërmjet tij. Ai duhet të sillej me guxim dhe me vërtetësi me njerëzit dhe të kryente punën shoshitëse të Zotit ndaj të vetëashtuquajtur besimtarë të kohës së tij dhe më pas Zoti i dha atij fjalën, “Ti do jesh si goja Ime.”
Çfarë nderi! A nuk duhet që çdo predikues, po, çdo besimtar, ta lakmojë këtë gjë? Perëndia të flasë nëpërmjet nesh, çfarë mrekullie! Ne duhet të flasim të vërtetë të sigurtë, të pastër; dhe do ta flasim atë me forcë. Fjala jonë nuk do të kthehet bosh; do të jetë një bekim për ata që e marrin atë dhe ata që e refuzojnë do ta pësojnë keq. Buzët tona do të ushqejnë shumë veta. Ne do të ngremë ata që flenë dhe do të ngjallim të vdekurin. O lexues i shtrenjtë, lutu që të jetë kështu me shkruesin e këtyre premtimeve dhe me të gjithë shërbëtorët e dërguar të Zotit tonë.
20 maj (Nuk guxojmë të dyshojmë)
“Unë do të ec para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura, do të bëj copë-copë portat prej bronzi dhe do të thyej shufrat prej hekuri.”
{#Isaia 45:2}
Kjo ishte për Kirin, por është akoma më shumë trashëgimia e të gjithë shërbëtorëve shpirtërorë të Zotit. Veçse le të shkojmë përpara me besim dhe rruga jonë do të sheshohet për ne. Shtrembëritë dhe dredhat e dinakërisë njerëzore dhe të finokërisë satanike do të sheshohen për ne; ne nuk do të ndjekim gjarpërimet e tyre dredha dredha. Portat e bronzit do të copëtohen dhe shufrat prej hekuri që i mbajnë ato ngulët do të thyhen. Ne nuk do kemi nevojë për dash as për qysqi; vetë Zoti do të bëjë të pamundurën për ne dhe e papritura do të jetë një fakt.
Le të mos ulemi poshtë me frikë burracake. Le të këmbëngulim përpara në rrugën e detyrës, sepse Zoti e ka thënë, “Unë do të eci përpara teje.” Nuk na përket ne të arsyetojmë se si ka për të ndodhur; ne na përket të guxojmë dhe të vërvitemi përpara. Është vepra e Zotit dhe Ai do të na mundësojë ta kryejmë; të gjitha pengesat do të bien para Tij. A nuk ka thënë vallë Ai, “Do të bëj copë-copë portat prej bronzi.” Çfarë mund të pengojë qëllimin e Tij ose të prishë dekretet e Tij? Ata që i shërbejnë Perëndisë kanë burime të pashterueshme. Rruga është e sheshuar për besimin edhe pse e bllokuar për forcën njerëzore. Kur Jehovai thotë, “Unë do të,” duke e thënë këtë dy herë në premtimin e Tij, ne nuk guxojmë të dyshojmë.
21 maj (Shi pa re? Kurrë!)
“Në rast se retë janë plot me shi, e derdhin mbi tokë.”
{#Predikuesi 11 :3}
Pse atëherë tmerrohemi prej reve që tani errësojnë qiellin tonë? E vërtetë, për pak kohë ato fshehin diellin, por dielli nuk është i shuar; ai së shpejti do të shndrisë përsëri. Ndërkohë ato re të zeza janë të mbushura me shi; dhe sa më të zeza janë aq më shumë është e mundur që të derdhin shi me litarë. E si mund të kemi shi pa re? Telashet tona na kanë sjellë përherë bekime dhe ato përherë do ta bëjnë këtë gjë. Ato janë karrocat e zymta të hirit të shndritshëm. Këto re do të zbrazen së shpejti dhe çdo bar i njomë do të jetë akoma më me gëzim për shkak të shiut. Perëndia ynë mund të na lagë me dhembje, por ama Ai nuk do të na mbysë me zemërim; jo, Ai do të na freskojë me mëshirë. Letrat e dashurisë së Zotit shpesh vijnë te ne me zarfe të zeza.
Vagonët e Tij kalojnë duke gjëmuar, por ama ato janë të ngarkuar me të mira. Shufra e Tij lulëzon me lule erëmirë dhe fryte ushqyese. Le të mos shqetësohemi nga retë, por të këndojmë ngaqë lulet e majit kanë ardhur deri tek ne nëpërmjet reve dhe shirave të prillit. O Zot, retë janë pluhuri i këmbëve të tua! Sa afër që je në ditën me re dhe të errët! Dashuria të shikon dhe është e kënaqur. Besimi shikon retë që zbrazen dhe duke bërë kodrinat në çdo anë të gëzohen.
22 maj (Këngë mirëbesimi)
“Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.”
{#Psalmi 138 :7}
Ecje fatkeqe në mes të telashit. Jo, ecje e bekuar përderisa ka një premtim të posaçëm për të. Më jip një premtim dhe për çfarë telashi bëhet fjalë? Çfarë më mëson këtu Zoti të them? Këtë gjë—“Ti do të më ruash të gjallë.” Do të kem më shumë jetë, më shumë energji, më shumë besim. A nuk ndodh shpesh kështu se telashi na përtërin ashtu si na ngjall një frymë ajri e ftohtë kur jemi duke u zalisur?
Sa të zemëruar janë armiqtë e mi dhe sidomos kryearmiku! A do të zgjas dorën dhe t’i bëj luftë armiqve të mi? Jo, dora ime përdoret më mirë në shërbimin e Zotit tim. Përveç kësaj, nuk ka nevojë për këtë, sepse Perëndia im do ta përdorë krahun e Tij të shtrirë dhe Ai do të merret më mirë me ta se sa unë sikur të përpiqesha ta bëja vetë. “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar.” Ai me vetë dorën e Tij të djathtë të pushtetit dhe urtësisë do të më shpëtojë dhe çfarë mund të dëshiroj më shumë? Eja zemra ime, shoshite këtë premtim për veten tënde derisa ta mund ta përdorësh atë si këngën e mirëbesimit tënd, lehtësimin e vetmisë tënde. Lutu që të përtëritesh dhe lërja të tjerat Zotit që kryen çdo gjë për ty.
23 maj (Mbështetje të plotë te Perëndia)
“Sepse Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.”
{#Psalmi 72 :12}
Nevojtari klith; çfarë mund të bëj ai tjetër? Klithja e tij dëgjohet nga Perëndia; çfarë gjëje tjetër ka ai nevojë të bëjë? Lexuesi nevojtar le t’ia zërë thirrmës menjëherë, sepse kjo do të jetë urtësia e tij. Mos klith në veshët e miqve, sepse edhe sikur ata mund të të ndihmojnë është vetëm ngaqë Zoti i ka mundësuar. Mënyra më e afërt është të shkosh drejtpërsëdrejti te Perëndia dhe të klithësh përpara Tij. Qasja drejtpërsëdrejti, bën vrapuesin më të mirë; vrapo te Zoti dhe jo te shkaqe dytësore. “Sa keq!” po thërret, “nuk kam as mik as ndihmës.” Aq më mirë; mund të mbështetesh te Perëndia për të dyja cilësitë—njësoj si të ishe pa gjë dhe pa ndihmë. Ktheje nevojën tënde të dyfishtë në përgjërimin tënd të dyfishtë.
Edhe për mëshira shekullare mund të presësh nga Perëndia, sepse Ai kujdeset për fëmijët e Tij në këto punë shekullare. Përsa i përket nevojave shpirtërore, të cilat janë më të fortat nga të gjitha, Zoti do të dëgjojë klithmën tënde dhe do të të çlirojë dhe do të të furnizojë. O mik i varfër, vë në provë Perëndinë tënd të pasur. O ti i mjerë, mbështetu në ndihmën e Tij. Ai kurrë nuk më ka lënë dhe jam i sigurtë se Ai kurrë nuk do të të lërë. Eja si një lypës dhe Perëndia nuk do të ta refuzojë ndihmën. Eja me asnjë përgjërim përveç hirit të tij. Jezusi është Mbret, a do të të lërë të vdesësh nga skamja? Çfarë! A e kishe harruar këtë gjë?
24 maj (Një i vetëm, shumicë!)
“Një i vetëm nga ju do të ndjekë një mijë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Ai që lufton për ju, siç e ka premtuar.”
{#Jozueu 23:10}
Pse vallë të numërosh sa njerëz janë? Një njeri i vetëm me Perëndinë është shumicë edhe sikur të ketë një mijë në anën tjetër. Ndonjëherë ndihmësit tanë mund të jenë tepër për Perëndinë që Ai të punojë me ta ashtu siç ishte me Gedeonin, i cili nuk mund të bënte asgjë derisa të rriste forcat duke zvogëluar numrin. Por mizëria e Zotit nuk është kurrë tepër pak. Kur Perëndia donte të themelonte një komb, Ai thirri vetëm Abramin dhe e bekoi atë. Kur donte të mundte Faraonin krenar, Ai nuk përdori ushtri, por vetëm Moisiun dhe Aronin. “Shërbesa e një njeriu,” ashtu si disa njerëz të urtë e quajnë, ka qenë shumë më e përdorur prej Zotit se sa reparte të stërvitur me oficerët e tyre. Të gjithë izraelitët të marrë së bashku a vranë po aq shumë sa Sansoni vetëm? Sauli dhe ushtritë e tij vranë mijëra, kurse Davidi dhjetëra mijëra.
Zoti mund t’i japë armikut probabilitet të fortë për fitore dhe prapëseprapë ta mundë. Nëse kemi besim, ne kemi Perëndinë me ne dhe çfarë janë vallë turmat e njerëzve? Një qen bariu mund të marrë përpara një kope të madhe dhensh. Nëse Zoti të ka dërguar, o vëllai im, forca e Tij do të përmbushë qëllimin e Tij hyjnor. Prandaj mbështetu mbi premtimin dhe ji me shumë kurajë.
25 maj (Thesari i Perëndisë)
“Zoti do të hapë për ty thesarin e Tij të mirë.”
{#Ligji i përtërirë 28:12}
Kjo i referohet së pari shiut. Zoti do ta dërgojë në kohën e vet. Shiu është emblema e të gjithë atyre freskimeve qiellore që Zoti është gati t’i japë popullit të Tij. Oh paçim një shi të bollshëm për të freskuar trashëgiminë e Zotit! Ne priremi të mendojmë se thesari i Perëndisë mund të hapet vetëm prej një profeti të madh si Elia, por nuk është kështu, sepse ky premtim është për të gjithë besnikët në Izrael dhe me të vërtetë për secilin prej tyre. O mik besimtar, “Zoti do të të hapë thesarin e Tij të mirë.”
Ti, gjithashtu mund të shikosh qiellin e hapur dhe të zhytësh dorën dhe të marrësh riskun tënd, po, dhe një risk për të gjithë vëllezërit e tu përreth teje. Kërko çfarë të duash dhe nuk do të mohohet gjë nëse qëndron në Krisht dhe fjalët e Tij qëndrojnë në ty. Deri tani ti nuk i ke njohur të gjitha thesaret e Zotit tënd, por Ai do t’ia hapë ato kuptimit tënd. Me siguri që nuk ke gëzuar akoma plotësinë e pasurive të Tij besëlidhëse, por Ai do të drejtojë zemrën tënde në dashurinë e Tij dhe do të të zbulojë Jezusin përbrenda teje. Vetëm Vetë Zoti mund të bëjë këtë për ty, por këtu është premtimi i Tij dhe nëse do ta dëgjosh me zell zërin e Tij dhe do t’i bindesh vullnetit të Tij, pasuritë e Tij në lavdi me anë të Krishtit Jezus do të jenë të tuat.
26 maj (Gjërat më të zakonshme, të bekuara)
“Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, Ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd.”
{#Eksodi 23:25}
Çfarë premtimi që është ky!T’i shërbesh Perëndisë është në vetvete një ëndje e madhe. Por çfarë privilegji shtesë të kesh bekimin e Zotit që qëndron mbi ne në të gjitha gjërat! Gjërat tona më të zakonshme bëhen të bekuara kur ne vetë i jemi kushtuar Zotit. Zoti ynë Jezus mori bukën dhe e bekoi atë; shiko, edhe ne gjithashtu hamë bukë të bekuar. Jezusi bekoi ujin dhe e bëri verë; ujin që ne pijmë është shumë më mirë për ne se çdo verë që dëfren njerëzit; çdo pikë ka një bekim përbrenda. Bekimi hyjnor është mbi njeriun e Perëndisë në gjithçka dhe do të qëndrojë me të në çdo kohë.
E çfarë pastaj nëse kemi vetëm bukë dhe ujë! Prapëseprapë është bukë dhe ujë i bekuar. Do ta kemi bukën dhe ujin. Kjo është e nënkuptuar, sepse duhet të jenë aty për Perëndinë që t’i bekojë ato. “Buka e tij do t`i jepet, uji i tij do t`i sigurohet.” Me Perëndinë në tryezën tonë, ne jo vetëm kërkojmë një bekim, por e kemi tashmë një. Nuk është vetëm në altar, por edhe në tryezë që Ai na bekon. Ai i shërben mirë atyre që e shërbejnë mirë Atë. Të mirat e tryezës nuk janë prej borxhit, por prej hirit. Në të vërtetë, ka një hir të trefishtë; Ai na dhuron hir për t’i shërbyer, me anë të hirit të Tij na ushqen me bukë dhe më pas në hirin e Tij e bekon atë.
27 maj (Si jeta ashtu do jetë fryti)
“Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t`ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.”
{#2 Pjetri 1:8}
Nëse dëshirojmë të lavdërojmë Zotin tonë me frytshmëri duhet që të kemi disa gjëra përbrenda nesh, sepse asgjë nuk mund të vijë jashtë prej nesh që nuk është së pari përbrenda nesh. Ne duhet të fillojmë me besimin, i cili është themeli i të gjitha virtyteve; dhe më pas t’i shtojmë atij me zell virtytin, diturinë, vetëkontrollin dhe qëndresën. Bashkë me këto duhet të kemi po ashtu edhe perëndishmërinë dhe dashurinë vëllazërore. Të gjitha këto të mbledhura së bashku me siguri që do na bëjnë të prodhojmë, si fryt i jetës sonë, vilet e dobishmërisë dhe nuk do të jemi thjesht njohës përtacë, por zbatues të vërtetë të fjalës. Këto gjëra të shenjta nuk duhet vetëm që të jenë në ne, por duhet të gjenden në ne me shumicë, ose përndryshe do të jemi djerrë. Fryti është gufimi i jetës dhe ne duhet të jemi plot përpara se të gufojmë.
Ne kemi vënë re njerëz me talente dhe mundësi të konsiderueshme të cilët nuk kanë pasur kurrë sukses të bëjnë të mirë të vërtetë në kthimin në besim të shpirtrave; dhe mbas një vëzhgimi të hollësishëm kemi nxjerrë si përfundim se atyre i mungonin disa hire që janë absolutisht thelbësorë për frytdhënien. Për të pasur dobishmëri të vërtetë, hiret janë më mirë se dhuntitë. Ashtu siç është njeriu ashtu është dhe puna e tij. Nëse do të donim të bënim më mirë duhet që të jemi më të mirë. Le të jetë teksti si një fjalë e butë e hedhur për të ashtuquajtur besimtarë që janë të pafrytshëm dhe për veten time gjithashtu.
28 maj (Silli në mendje Perëndisë premtimin e Tij)
“Dhe Ti the: “Patjetër, Unë do të të bëj mirë.”
{#Zanafilla 32:12}
Kjo është rruga e sigurtë për të ngadhënjyer me Zotin në lutje. Ne përulësisht mund t’i sjellim Atij në mendje atë çfarë ka thënë. Perëndia ynë besnik nuk do të kthehet mbrapsht prej fjalës së Tij, as nuk do ta lërë të papërmbushur; prapëseprapë Ai do që të kërkohet prej njerëzve të Tij dhe t’i sillet në mendje premtimi i Tij. Kjo është freskuese për memorien e tyre, përtëritëse për besimin e tyre dhe ringjallëse për shpresën e tyre. Fjala e Perëndisë është dhënë, jo për hir të Tij, por për hirin tonë. Qëllimet e Tij janë vendosur dhe Ai nuk ka nevojë për asgjë për ta detyruar ndaj qëllimit të Tij për t’i bërë mirë popullit të Tij, por Ai jep premtimin për forcimin dhe ngushëllimin tonë. Prandaj Ai do nga ne që ta marrim në mbrojtje dhe t’i themi, “Ti the: “Patjetër, Unë do të të bëj mirë” është pikërisht thelbi i të gjitha thënieve të hirshme të Zotit. Vë një theks të veçantë mbi fjalën “patjetër.”
Ai do na bëjë mirë, të mirë të vërtetë, të vazhdueshme, vetëm të mirë, çdo të mirë. Ai do të na bëjë mirë dhe kjo është për ne mirë në shkallën më të lartë. Ai do të na trajtojë si shenjtorët e Tij, ndërsa jemi këtu dhe kjo është mirë. Ai së shpejti do të na marrë për të qenë me Jezusin dhe të gjithë të zgjedhurit e Tij dhe kjo është jashtë mase mirë. Me këtë premtim në zemrat tona, nuk kemi nevojë të druajmë Esaun e zemëruar dhe asnjë tjetër. Nëse Zoti do të na bëjë mirë, kush mund të na dëmtojë?
29 maj (Peshkatarët e ndjekin Atë)
“Jezusi u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t`ju bëj peshkatarë njerëzish.”
{#Marku 1:17}
Vetëm duke ardhur pas Jezusit ne mund të fitojmë dëshirën e zemrës sonë dhe mund të jemi me të vërtetë të dobishëm për të afërmin tonë. Oh, sa shumë që dëshirojmë me zjarr të jemi peshkatarë të suksesshëm për Jezusin! Do të donim të flijonim jetët tona për të fituar shpirtra. Por jemi të tunduar të provojmë metoda që Jezusi nuk do të kishte provuar kurrë. A do t’i dorëzohemi këtij sugjerimi të armikut? Nëse po, ne mund të pllaquritemi në ujë, por nuk do të kapim kurrë peshq. Ne duhet të ndjekim Jezusin nëse do të donim të kishim sukses. Metodat sensacionale, zbavitjet dhe kështu me radhë—a janë të ndjekësh Jezusin? A mund të përfytyrojmë Zotin Jezus duke tërhequr një bashkësi me mjete të tilla ashtu siç përdoren tani zakonshëm? Cili është rezultati i marifeteve të tilla? Rezultati nuk do të llogaritet prej Jezusit në ditën e madhe të fundit.
Ne duhet të këmbëngulim të përdorim predikimin ashtu si Mjeshtri ynë bëri, sepse me anë të këtij mjeti shpirtrat shpëtohen. Ne duhet të predikojmë doktrinën e Zotit tonë dhe duhet të shpallim një ungjill të plotë dhe falas, sepse kjo është rrjeta ku kapen shpirtrat. Ne duhet të predikojmë me butësi, guxim dhe dashuri, sepse ky është sekreti i suksesit me zemrat njerëzore. Ne duhet të punojmë nën vajosjen hyjnore duke u varur te Fryma e Shenjtë. Kështu pra, duke ndjekur Jezusin dhe jo duke vrapuar përpara Tij, as larg Tij, ne do të jemi peshkatarë njerëzish.
30 maj (Parashikim i shenjtë)
“Madje Unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.”
{#Mateu 26:64}
Ah, Zot,Ti ishe në gjendjen Tënde më të ulët kur përpara përndjekësve të Tu u bëre që të qëndroje si një keqbërës! Prapëseprapë sytë e besimit Tënd mund të shikonin, përtej poshtërimit Tënd të tanishëm, te lavdia e ardhshme. Çfarë fjalësh që janë këto, “Madje—Unë po ju them se në të ardhmen!” Do të doja të imitoja parashikimin Tënd të shenjtë dhe në mes të varfërisë, ose sëmundjes ose shpifjes, do doja të gjithashtu të thosha, “Madje—Unë po ju them se në të ardhmen!” Në vend të dobësisë, Ti ke çdo pushtet; në vend të turpit, çdo lavdi; në vend të talljes, çdo adhurim. Kryqi Jot nuk ka mpakur shkëlqimin e kurorës Tënde dhe as pështyma nuk ka prishur bukurinë e fytyrës Tënde.
Përkundrazi, Ti je akoma më shumë i lartësuar dhe i nderuar prej vuajtjeve të Tua. Kështu pra Zot, do të doja gjithashtu të merrja kurajë prej këtyre fjalëve “në të ardhmen.” Do të doja të harroja vuajtjen e tanishme në triumfin e ardhshëm. Më ndihmo duke më drejtuar në dashurinë e Atit Tënd dhe në vetë durimin Tënd, kështu që ndërsa përqeshem për shkak të emrit Tënd, të mos lëkundem, por të mendoj gjithnjë e më shumë për më pas dhe më pak për të sotmen. Do të jem me Ty së shpejti dhe do të vështroj lavdinë Tënde. Prandaj, nuk kam turp, por them nga thellësia e shpirtit tim, “në të ardhmen!”
31 maj (Merrni zemër)
“Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, Unë e munda botën!”
{#Gjoni 16:33}
Fjalët e Zotit tim janë të vërteta përsa i përket mundimeve. Kam pjesë në to përtej çdo dyshimi. Kamxhiku nuk është varur dhe as nuk mund të shpresoj që të vihet mënjanë për aq gjatë sa jam në lëmë. Si mund të kërkoj të jem si në shtëpinë time në vendin e armikut, i gëzuar ndërsa në mërgim, ose i qetë në një shkretëtirë? Kjo nuk është prehja ime. Ky është vendi i furrnaltës, i farkës dhe i çekiçit. Përjetimi im përkon me fjalët e Zotit tim. Vërej se si Ai më urdhëron që të “të marr zemër.” Sa keq! Jam shumë i prirur për të qenë zemërlëshuar.
Fryma ime zhytet shpejt kur sprovohem rëndë, por nuk duhet t’i lë shteg kësaj ndjenje. Kur Zoti më urdhëron të marr zemër, nuk duhet që të jem zemërlëshuar. Cili është argumenti që Ai përdor për të më dhënë zemër? Është vetë fitorja e Tij. Ai thotë, “Unë e munda botën.” Beteja e Tij ishte shumë më e egër se e imja. Nuk kam rezistuar akoma deri në gjak. Pse dëshpërohem se nuk mund ta mund dot? Shpirti im, shiko, armiku është mundur një herë. Unë luftoj me një armik të mundur. O botë, Jezusi të ka mundur tashmë; dhe brenda meje, me anë të hirit të Tij, Ai do të të mundë përsëri. Prandaj marr zemër dhe i këndoj Zotit tim fitimtar.