Një premtim prej Zotit mund të krahasohet në mënyrë shumë mësimdhënëse me një çek. I është dhënë besimtarit me pikësynimin për t’i falur diçka të mirë. Nuk është synuar që ai ta lexojë përciptas dhe më pas të ketë mbaruar punë me të. Jo, ai duhet ta trajtojë premtimin si një realitet, ashtu si një njeri shikon një çek.
Ai duhet ta marrë premtimin dhe ta kundërfirmosë me vetë emrin e tij duke e pranuar personalisht si të vërtetë. Ai duhet ta pranojë si të vetin. Ai vë vulën se Zoti është i vërtetë dhe i vërtetë në lidhje me këtë fjalë të veçantë premtimi. Ai shkon më tej akoma dhe beson se ka bekimin duke pasur premtimin e sigurt të tij dhe prandaj vë emrin e tij për të vërtetuar marrjen e bekimit.
1 mars (Gëzim për të dëbuarit)
“Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e Tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit Tim, kanë thënë: “Le të tregojë Zoti lavdinë e Tij me qëllim që ne të mund të shohim gëzimin tuaj.” Por ata do të jenë të shushatur.”
{#Isaia 66 :5}
Ndoshta ky tekst mund t’i zbatohet vetëm njërit mes një mijë lexuesish të këtij libri premtimesh, por Zoti gëzon atë njeri të vetëm me të këtilla fjalë. Le të lutemi për të gjithë ata që janë të tillë, të dëbuar padrejtësisht prej shoqërisë së atyre që duan. Zoti i ngazëlleftë me shfaqjen e Tij! Teksti i zbatohet njerëzve me të vërtetë të hirshëm që dridhen nga fjala e Zotit. Këto urreheshin prej vëllezërve të tyre dhe së fundi u dëbuan për shkak të besnikërisë dhe shenjtërisë së tyre. Kjo duhet të ketë qenë shumë e hidhur për ta dhe aq më shumë akoma ashtu, ngaqë dëbimi i tyre u krye ne emër të fesë dhe me pretendimin e lëvdimit të Perëndisë. Sa shumë që bëhet për djallin në emër të Perëndisë!
Përdorimi i emrit të Jehovait për t’i shtuar helm kafshimit të gjarprit të vjetër, është një shembull i mendjehollësisë së tij. Shfaqja e Zotit për ta është shpresa e njerëzve të Tij të përndjekur. Ai shfaqet si avokati dhe mbrojtësi i të zgjedhurve të Tij dhe kur Ai bën ashtu, kjo do të thotë një çlirim i qartë për ata që druajnë Perëndinë dhe turp për shtypësit e tyre. O Zot, përmbush këtë fjalë për ata që po përqeshen nga njerëzit!
2 mars (Dhënie pa pëshpërimë)
“Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç`bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.”
{#Mateu 6 :3,4}
Asnjë premtim nuk i bëhet atyre që i japin të varfrit për t’u parë nga njerëzit. Ata e kanë shpërblimin e tyre menjëherë dhe nuk mund të presin që të shpërblehen dy herë. Le ta fshehim bamirësinë tonë; po, le ta fshehim edhe prej vetes sonë. Jep rregullisht dhe në vazhdimësi me qëllim që të mos mbash shënim se ke ndihmuar të varfrin më shumë se ç’vëren kur merr vaktet e tua të rregullta. A po i pëshpëritin vetes tënde lëmoshat, “sa zemërgjerë që jam!” Mos u përpiq kështu që të shpërblesh veten tënde. Lërja këtë gjë Perëndisë, që nuk dështon kurrë të shohë, të mbajë shënim dhe të shpërblejë.
Lum njeriu që është i zënë në fshehtësi me mirësinë e tij; ai gjen një gëzim të veçantë në bamirësitë e tij të panjohura. Kjo është bukë që e ngrënë në fshehtësi është më e ëmbël se banketet e mbretërve. Si mund ta kënaq veten sot me këtë luks të mrekullueshëm? Le të kem një festë të vërtetë zemërbutësie dhe zemërbujarie. Këtu poshtë dhe më pas, Zoti Vetë, do të kujdeset personalisht për shpërblimin e dhënësit të lëmoshës në fshehtësi. Kjo do të bëhet sipas mënyrës së Tij dhe në kohën e Tij dhe Ai do të zgjedhë më të mirën. Se sa shumë do të thotë ky premtim është e nevojshme që vetë përjetësia ta tregojë.
3 mars (Jo të braktisur për vdekje)
“Sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim ne Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.”
{#Psalmi 16:10}
Kjo fjalë ka përmbushjen e saj të plotë në Zotin Jezus, por i zbatohet gjithashtu, me një farë ndryshimi, të gjithë atyre që janë në Të. Shpirti ynë nuk do të lihet në gjendjen e ndarë dhe trupi ynë, edhe pse do të shohë korruptimin, do të ngjallet përsëri. Domethënien e përgjithshme dhe jo zbatimin e posaçëm ne do të sjellim në vëmendjen e mendimeve të lexuesve tanë në këtë kohë të veçantë. Ne mund të zbresim në frymë shumë poshtë derisa të na duket se jemi të zhytur në abisin e ferrit, por ama nuk do të lihemi atje. Mund të na duket se jemi në derën e vdekjes në zemër, në shpirt dhe ndërgjegje, por ama nuk mund të qëndrojmë atje.
Vdekja jonë e përbrendshme përsa i përket gëzimit dhe shpresës mund të shkojë shumë larg, por ama nuk mund të vazhdojë përpara deri në rrjedhojat e saj të plota, deri atje sa të arrijë korruptimin e plotë të dëshpërimit të zi. Ne mund të shkojmë shumë poshtë, por ama jo më poshtë se sa Zoti lejon; ne mund të qëndrojmë në birucën më të ulet të dyshimit për një farë kohe, por ama nuk do të vdesim atje. Ylli i shpresës është akoma në qiell atëherë kur nata është sterë e zezë. Zoti nuk do të na harrojë dhe nuk do të na dorëzojë te armiku. Le të prehemi në shpresë. Kemi të bëjmë me dikë mëshira e të cilit zgjat përjetë. Me siguri që jashtë prej vdekjes, errësirës dhe dëshpërimit do të ngrihemi përsëri në jetë, dritë dhe liri.
4 mars (Ndero Perëndinë)
“Unë nderoj ata që me nderojnë.”
{#1 Samueli 2 :30}
A e bëj nderin e Perëndisë pikësynimin e madh të jetës sime dhe rregullën e sjelljes sime? Nëse është kështu, Ai do të më nderojë. Për një farë kohe mund të mos marr asnjë nder prej njeriut, por Perëndia Vetë do të vërë nder mbi mua në mënyrën më të efektshme. Në fund fare kjo do të shfaqet si mënyra më e sigurtë e nderimit, të pranosh të vuash për hir të ndërgjegjes. Eli nuk e pati nderuar Zotin duke e drejtuar mirë shtëpinë e tij dhe bijtë e tij nuk e patën nderuar Zotin me një sjellje të denjë për ofiqin e tyre të shenjtë dhe prandaj Zoti nuk i nderoi, por e hoqi krye-priftërinë prej familjes së tyre dhe e bëri Samuelin e ri të jetë udhëheqës në vend, në vend të secilit prej pasardhjes së tyre.
Nëse do të doja që familja ime të fisnikërohet, atëherë duhet që të nderoj Zotin në të gjitha gjërat. Perëndia mund të lejojë që i ligu të fitojë ndere të kësaj bote, por dinjitetin që Vetë Ai jep, madje edhe lavdinë, nderin dhe pavdekshmërinë, Ai i ruan për ata që nëpërmjet një bindjeje të shenjtë kujdesen që ta nderojnë Atë. Çfarë mund të bëj sot për të nderuar Zotin? Do të përkrah lavdinë e Tij nëpërmjet dëshmisë sime së shprehur dhe nëpërmjet bindjes sime praktike. Do ta nderoj Atë gjithashtu edhe me pasurinë time dhe duke i flijuar Atij ndonjë shërbim të veçantë. Le të ulem dhe të mendoj se si mund ta nderoj Atë, përderisa Ai do të më nderojë.
5 mars (Bekime shtëpiake)
“Ai bekon banesën e të drejtëve.”
{#Fjalët e urta 3 :33}
Ai e druan Zotin dhe prandaj ai hyn nën mbrojtjen hyjnore po ashtu si çatia që mbulon atë dhe familjen e tij. Shtëpia e tij është një banesë dashurie, një shkolle ushtrimi të shenjtë dhe një vend drite qiellore. Në të ka një altar familjar ku emri i Zotit adhurohet përditë. Prandaj Zoti e bekon banesën e tij. Mund të jetë një kasolle e thjeshtë ose një banesë pasanikësh, por bekimi i Zotit vjen për shkak të karakterit të banuesit dhe jo për shkak të madhësisë së banesës.
Ajo shtëpi ku i zoti dhe e zonja janë njerëz që kanë frikë Perëndinë është një shtëpi tepër e bekuar, por një bir ose një bije ose madje edhe një shërbëtor mund të sjellë një bekim mbi një vatër të tërë. Zoti shpesh ruan, jep begatinë dhe jep në një shtëpi për hir të një ose dy që ndodhen në të, që janë njerëz “të drejtë” në sytë e Tij, sepse hiri i Tij i ka bërë ashtu. Të dashur, le të kemi Jezusin për mikun tonë të vazhdueshëm po ashtu si e kishin edhe motrat e Betanisë dhe atëherë do të bekohemi me të vërtetë. Le të kujdesemi që në të gjitha gjërat të jemi të drejtë—në punët e kësaj bote, në gjykimin tonë ndaj të tjerëve, në sjelljen tonë me fqinjët dhe vetë karakterin tonë. Një Perëndi i drejtë nuk mund të bekojë punë të padrejta.
6 mars (Kujdestari i jetimit)
“Pranë Teje jetimi gjen dhembshuri.”
{#Osea 14 :3}
Kjo është një arsye e mrekullueshme për të flakur tutje çdo mirëbesim tjetër dhe për t’u mbështetur vetëm te Zoti. Kur një fëmijë lihet pa mbrojtësin e tij të natyrshëm, Perëndia ynë ndërhyn dhe bëhet ruajtësi i tij; po ashtu edhe kur një njeri ka humbur çdo gjë ku të mbështetet, ai mund t’ia dorëzojë veten Perëndisë të gjallë dhe të gjejë në Të gjithçka që ka nevojë. Jetimët i janë dorëzuar atësisë së Perëndisë dhe Ai siguron për ta. Shkruesi i këtyre faqeve e di se çfarë është të varesh te krahu i zhveshur i Perëndisë dhe ai mban dëshminë e tij të vullnetshme se asnjë mirëbesim nuk është aq mirë i garantuar prej fakteve, ose aq i sigurtë për t’u shpërblyer me rezultate, sa mirëbesimi në të padukshmin, por të përjetshmin Perëndi.
Disa fëmijë që kanë etër nuk janë më mirë për shkak se kanë etër, por jetimët me Perëndinë, janë të pasur. Me mirë të kesh Perëndinë dhe asnjë mik tjetër se sa të gjithë padronët mbi tokë dhe jo Perëndinë. Të mbesësh pa të afërm është e dhimbshme, por për aq gjatë sa Zoti mbetet burimi i mëshirës për ne, ne nuk jemi jetimë me të vërtetë. Fëmijët jetimë le të marrin në mbrojtje fjalën e hirshme këtë mëngjes dhe të gjithë ata që kanë mbetur pa mbështetje të dukshme le të bëjnë të njëjtën gjë. Zot, le të gjej mëshirë te Ty! Aq më shumë që jam në nevojë dhe i pandihmë aq më me mirëbesim i bëj thirrje zemrës Tënde të dashur.
7 mars (Të çliruar prej zinxhirëve)
“Zoti çliron të burgosurit.”
{#Psalmi 146 :7}
Ai e ka bërë këtë. Kujto Jozefin, Izraelin ne Egjipt, Manasenë, Jeremian, Pjetrin dhe shumë të tjerë. Ai mund ta bëje këtë akoma. Ai thyen shufrat e bronzit me një fjalë dhe thërrmon zinxhirët e hekurt me një shikim. Ai është duke e bërë këtë. Në mijëra vende, njerëz në telashe po vijnë në dritë dhe çlirim. Jezusi akoma i shpall hapjen e birucës atyre që janë të burgosur. Në këtë çast dyer po hapen dhe hallka zinxhirësh po bien në tokë. Ai do të ketë ëndje të të çlirojë mik i shtrenjtë, nëse në këtë kohë je duke vajtuar për shkak të trishtimit, dyshimit dhe frikës.
Do të jetë një gëzim për Jezusin të të japë liri. Do t’i japë Atij një kënaqësi po aq të madhe të të çlirojë sa do të jetë një kënaqësi për ty të çlirohesh. Jo, nuk ke për ta thërrmuar lidhjen e hekurt; Vetë Zoti do ta bëjë këtë. Vetëm mirëbesoi Atij dhe Ai do të jetë Emancipuesi yt. Beso në Të pavarësisht mureve të ngurta ose prangave të hekurta. Satanai nuk mund të të pengojë, mëkati nuk mund të të lidhë me zinxhirë, madje as dëshpërimi nuk mund të të mbajë lidhur nëse do që tani të besosh në Zotin Jezus, në hirin falas të Tij dhe në plotësinë e fuqisë së Tij për të shpëtuar. Sfido armikun dhe fjala tani përpara teje le të jetë kënga jote e çlirimit : “Jehovai çliron të burgosurit.”
8 mars (Të mirat tona të bekuara)
“Të bekuara do të jene shporta dhe magjja jote.”
{#Ligji i përtërirë 28 :5}
Bindja sjell një bekim mbi të gjitha furnizimet që puna jonë na sjell. Ajo që hyn brenda dhe del jashtë, ashtu si frutat në shportë që janë për përdorim të menjëhershëm, do të bekohet menjëherë; dhe ajo që vihet mënjanë prej nesh për një periudhë më të gjatë do të marrë gjithashtu një bekim. Ndoshta risku ynë është sa nxë një grusht. Kemi pak për të ngrënë në mëngjes dhe një kafshatë të vogël për darkë, me vete në një shportë, kur nisemi për në punë në mëngjes. Kjo është mirë sepse bekimi i Perëndisë i është premtuar shportës. Nëse jetojmë sot për sot, duke marrë furnizimin e ditës në po atë ditë, jam po në atë gjendje të mirë sa Izraeli, sepse kur Zoti ushqente popullin e Tij të favorizuar Ai u dha atyre manë për secilën ditë. Për çfarë kishin ata nevojë më shumë ? Për çfarë kemi ne nevojë më shumë?
Mirëpo nëse i kemi qilarët plot, sa shumë që kemi nevojë që Zoti t’i bekojë! Sepse është shqetësimi i fitimit, shqetësimi i ruajtjes, shqetësimi i administrimit, shqetësimi i përdorimit dhe nëse Zoti nuk i bekon qilarët tanë, këto shqetësime do të brejnë zemrën tone derisa zotërimet tona të bëhen Perënditë tona dhe shqetësimet tona do të jenë gangrenë. O Zot, beko atë ç’kemi në zotërim. Na mundëso ta përdorim atë për lavdinë Tënde. Na ndihmo që t’i mbajmë gjërat e kësaj botë në vendin e tyre të duhur dhe që kurrë kursimet tona të mos vënë në rrezik shpëtimin e shpirtrave tanë.
9 mars (Lutje për paqe)
“Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.”
{#Jeremia 29 :7}
Parimi i nënkuptuar në këtë tekst do të na sugjerojë të gjithë neve që jemi të huajt dhe shtegtarët e Zotit se duhet që të dëshirojmë të përkrahim paqen dhe mbrothësinë e popullit mes të cilit jetojmë. Veçanërisht duhet që kombi dhe qyteti ynë të bekohet nëpërmjet ndërhyrjes sonë të vazhdueshme. Një lutje e zellshme për vendin e tij është shumë e përshtatshme në gojën e çdo besimtari.
Le të lutemi me zell për të mirën e madhe të paqes si në vend po ashtu dhe jashtë tij. Sikur një konflikt të shkaktonte gjakderdhje në rrugët tona, ose nëse beteja jashtë të vriste ushtarët tanë trima, ne duhet të gjithë të vajtojmë prej kësaj fatkeqësie; le të lutemi pra për paqen dhe me zell të përkrahim ato parime nëpërmjet të cilave klasat shoqërore në vend dhe popujt jashtë të mund të lidhen bashkë me lidhje paqe. Ne vetë na premtohet qetësi që lidhet me paqen e kombit dhe kjo është tepër e dëshirueshme, sepse kështu ne mund të rrisim fëmijët tanë në frikën e Zotit dhe gjithashtu mund të predikojmë ungjillin pa pengesë. Le të jemi sot shumë në lutje për vendin tonë, duke rrëfyer mëkate kombëtare dhe duke kërkuar për falje dhe bekim kombëtar, për hir të Jezusit.
10 mars (Ecje në dritë)
“Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në Mua të mos mbetet në errësirë.”
{#Gjoni 12 :46}
Kjo botë është e errët si mesnata; Jezusi ka ardhur që nëpërmjet besimit të mund të kemi dritë dhe që të mos të ulemi më gjatë në zymtinë që mbulon të gjithë pjesën tjetër të njerëzimit. Kushdo është një fjalë shumë e gjerë; do të thotë ti dhe unë. Nëse e kemi vendosur besimin në Jezus nuk do të ulemi më gjatë në hijen e errët të vdekjes, por do të hyjmë në dritën e ngrohtë të një dite që nuk do të ketë fund kurrë. E pse nuk dalim jashtë në dritë menjëherë?
Ndonjëherë një re mund të sillet mbi ne, por ne nuk do të qëndrojmë në errësirë nëse besojmë në Jezusin. Ai ka ardhur të na japë rreze drite të bollshme. A vjen Ai vallë më kot? Nëse kemi besim, ne kemi privilegjin e dritës së diellit; le ta gëzojmë atë. Prej natës së korruptimit të natyrshëm, të injorancës, të dyshimit, të dëshpërimit, të mëkatit, të tmerrit, Jezusi ka ardhur të na çlirojë dhe të gjithë besimtarët do të njohin se Ai nuk vjen më kot, po ashtu si dielli që lind dhe që nuk dështon të shpërndajë ngrohtësinë dhe dritën e tij. Shkund tutje depresionin vëlla i shtrenjtë. Mos qëndro në errësirë, por qëndro në dritë. Në Jezusin është shpresa jote, gëzimi yt, parajsa jote. Shiko te Ai, te Ai vetëm dhe do të gëzohesh po ashtu si zogjtë gëzohen me lindjen e diellit dhe ashtu si engjëjt gëzohen përpara fronit.
11 mars (E kujt është beteja?)
“Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe Ai do t’ju dorëzojë në duart tona”.
{#1 Samuelit 17 :47}
Le të jetë shumë e qartë kjo pikë se beteja i përket Zotit dhe ne mund të jemi më se të sigurtë për fitoren dhe për fitore në një mënyrë të tille sa do të shfaqë më mirë se çdo gjë tjetër fuqinë e Perëndisë. Zoti është tejet i harruar prej të gjithë njerëzve, po, madje edhe prej asambleve të Izraelit; dhe kur ka një mundësi për të bërë njerëzit të kuptojnë se Shkaku i Parë i Madh mund të arrijë qëllimet e Tij pa fuqinë e njeriut, atëherë është një rast i çmueshëm që duhet të përdoret mirë. Edhe Izraeli shikon në mënyrë të tepruar te shpata dhe shtiza. Është një gjë e madhe të mos ketë shpatë në dorën e Davidit dhe prapëseprapë për Davidin të dijë se Perëndia i Tij do të mposhtë një ushtri të tërë armiqsh.
Nëse me të vërtetë po luftojmë për të vërtetën dhe drejtësinë, le të mos pushojmë derisa kemi aftësi ose pasuri, ose ndonjë formë tjetër fuqie të dukshme në dispozicionin tonë, por me gurë të tillë që gjejmë në përrua dhe me vetë hobenë tonë të zakonshme, le të vrapojmë për të ndeshur armikun. Nëse do të ishte beteja jonë, do kishim arsye të mirë për të mos qenë të sigurt, por nëse po ngrihemi për Jezusin dhe duke luftuar vetëm në forcën e Tij, kush mund të na bëjë ballë vallë? Pa as dhe një gjurmë mëdyshjeje, le të përballojmë filistenjtë, sepse Zoti i Ushtrive është me ne dhe kush mund të jetë kundra nesh?
12 mars (Dalje me gëzim)
“Përsa i përket Zabulonit, ai tha : “Gëzoje, Zabulon, daljen tënde.”
{#Ligji i përtërirë 33 :18}
Bekimet e fiseve janë tonat, sepse ne jemi Izraeli i vërtetë që adhurojmë Perëndinë në frymë dhe që nuk e vendosim besimin në mish. Zabuloni ka për t’u gëzuar sepse Jehovai do të bekojë “daljen” e tij; ne gjithashtu shikojmë për veten tonë një premtim që qëndron i fshehur në këtë bekim. Kur dalim ne do të kërkojmë për raste gëzimi. Ne dalim në udhëtim dhe provania e Perëndisë është shoqëruesi ynë. Ne dalim jashtë vendit dhe Zoti është me ne si në tokë po ashtu dhe në det. Ne dalim si misionarë dhe Jezusi thotë “dhe ja, Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”
Ne dalim për në punë ditë për ditë dhe mund ta bëjmë këtë gjë me kënaqësi, sepse Perëndia do të jetë me ne prej agimit deri në muzg. Ndonjëherë një frikë përvidhet te ne fillimisht, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndeshim, por ky bekim mund të shërbejë shumë mirë si një fjalë ngushëllimi. Teksa bëjmë gati valixhet për të lëvizur, le ta vendosim këtë varg në bagazhin tonë; le ta hedhim në zemrat tona dhe ta mbajmë atje; po, le ta vendosim mbi gjuhën tonë për të na bërë të këndojmë. Le të lëshojmë spirancën me një këngë ose le të hipim në vagon me një psalm. Le t’i përkasim fisit të gëzuar dhe në çdo lëvizje, le të lavdërojmë Zotin me zemra të ngazëlluara.
13 mars (Mos përçmo rininë tënde)
“Por Zoti më tha: “Mos thuaj: “Jam një djalosh”, sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj Unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.”
{#Jeremia 1 :7}
Jeremia ishte i ri dhe ndjeu një zmbrapsje te natyrshme kur u dërgua me porosi prej Zotit, por Ai që e dërgoi nuk donte që të dëgjonte prej tij, “jam një djalosh.” Ajo çfarë ai ishte në vetvete nuk duhej të përmendej, por duhej të humbiste në konsideratën se ai ishte i zgjedhur të fliste për Perëndinë. Ai nuk kishte për të menduar e shpikur një fjalim, as të zgjidhte auditorin; ai kishte për të folur atë çfarë Perëndia do t’i urdhëronte dhe atje ku Perëndia do ta dërgonte dhe ai do të mundësohej për ta kryer këtë gjë jo me forcën e tij.
A nuk është kështu me ndonjë predikues te ri ose mësues që mund të jetë duke lexuar këto rreshta? Perëndia e di se sa i ri je dhe sa e paktë është njohuria dhe përvoja jote, por nëse Ai zgjedh të të dërgojë atëherë nuk ke pse të zmbrapsesh prej thirrjes qiellore. Perëndia do ta madhërojë Veten e Tij në dobësinë tënde. Sikur të ishe po aq i vjetër sa Methuselahu, sa do të ndihmonin vallë vitet e tua? Sikur të ishe po aq i urtë sa Solomoni, a do të ndihmonte kjo gjë? Përmbaju fjalimit tënd dhe kjo do të jetë urtësia jote; ndiq urdhrat e tua të marshimit dhe kjo do të jetë pjekuria jote.
14 mars (Ngushëllim i butë)
“Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu Unë do t’ju gëzoj.”
{# Isaia 66 :13}
Ngushëllimin që jep nëna! Ah, kjo është butësia vetë. Shikoni se si merr pjesë në pikëllimin e fëmijës! Shikoni se si e shtrëngon atë në kraharorin e saj dhe përpiqet të marrë të gjithë trishtimin e tij në vetë zemrën e saj! Ai mund t’i thotë asaj gjithçka dhe ajo do ta ngushëllojë me dashamirësi si askush tjetër. Nga gjithë ngushëlluesit, fëmija do më shumë nënën e tij dhe madje edhe burra të pjekur kanë përjetuar të njëjtën gjë. A begenis Jehovai të veprojë ashtu si nëna? Kjo është me të vërtetë mirësi.
Ne e dallojmë menjëherë se si Ai është at, por a do jetë gjithashtu si një nënë? A nuk na nxit kjo gjë për të pasur një familjaritet të shenjtë, një mirëbesim të pakufizuar, një prehje të shenjtëruar? Kur vetë Perëndia bëhet “Ngushëlluesi”, asnjë ankth nuk mund të mbesë më gjatë. Le të shprehim telashin tonë, edhe sikur gulçimat dhe psherëtimat te bëheshin shprehja jonë e menjëhershme. Ai nuk do të na përçmojë për shkak të lotëve tanë; nëna jonë nuk na ka përçmuar. Ai do të marrë në konsideratë dobësinë tonë ashtu si nëna jonë dhe Ai do të falë gabimet tona më mirë se ç’mund të bëjë nëna jonë. Ne nuk do të bëjmë përpjekje ta mbajmë për vete hallin tonë; kjo do të ishte mizore ndaj dikujt kaq zemërbutë dhe zemërmirë. Le ta fillojmë ditën me Perëndinë tonë të dashur e përse mos ta përfundojmë atë në të njëjtën shoqëri, përderisa nënat nuk lodhen prej fëmijëve të tyre?
15 mars (Zoti është një shenjtërore)
“Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithëse Unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, Unë do të jem për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar.”
{#Ezekiel 11 :16}
Të dëbuar prej mundësive të vendit tonë, ne nuk jemi të përjashtuar prej hirit të mundësive. Zoti që i vendos njerëzit e Tij atje ku ata ndjehen si të mërguar do të jetë vetë me ta dhe do të jetë për ta gjithçka që do të mund të kishin pasur në shtëpi, në vendin e asambleve të tyre solemne. Përvetësojeni këtë, o ju që jeni thirrur të endeni! Perëndia është për njerëzit e Tij një vend strehimi. Ata gjejnë shenjtërore në Të prej çdo kundërshtari. Ai është gjithashtu vendi i tyre i adhurimit. Ai është me ta ashtu si me Jakobin kur ai ra në gjumë në fushë të hapur dhe duke u ngritur, tha, “Me siguri Zoti është në këtë vend.”
Edhe për ta, Ai do të jetë një shenjtërore qetësie, ashtu si Vendi shumë i shenjtë, që ishte banimi i pazhurmë i të Përjetshmit. Ata do të jenë të siguruar prej frikës së të ligës. Perëndia Vetë, në Krishtin Jezus, është shenjtërorja e mëshirës. Arka e besëlidhjes është Zoti Jezus, shufra e Aronit, ena me manë, pllakat e ligjit janë të gjitha në Krisht shenjtërorja jonë. Në Perëndinë ne gjejmë tempullin e shenjtërisë dhe shoqërimit. Për çfarë kemi më shumë nevojë? O Zot, përmbush këtë premtim dhe ji përherë për ne një shenjtërore!
16 mars (Shembull për të tjerët)
“Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju. ”
{#Filipianëve 4 :6}
Është mirë kur një njeri mund të imitohet me dobi po aq në detaje sa Pali mund të ketë qenë imituar. Oh, paçim hir për ta imituar atë sot dhe çdo ditë! Sikur ne, nëpërmjet hirit hyjnor, të zbatonim mësimet e Palit, atëherë mund të rivendikojmë premtimin që është tani i hapur përpara nesh dhe çfarë premtimi që është! Perëndia, që do paqen, bën paqe dhe krijon paqe, do të jetë me ne. “Paqja qoftë me ju” është një bekim i ëmbël, por të kesh Perëndinë e paqes me ne është shumë më tepër.
Kështu ne kemi burimin po ashtu si dhe ujërat, diellin po ashtu si rrezet e diellit. Nëse Perëndia i paqes është me ne, ne do të gëzojmë paqen e Perëndisë që tejkalon çdo zgjuarsi, edhe sikur rrethanat e jashtme të kërcënonin të sillnin trazirë. Nëse njerëzit grinden, me siguri që do të jemi paqebërës, nëse Bërësi i paqes është me ne. Është në rrugën e të vërtetës që gjendet paqja e vërtetë. Nëse braktisim besimin ose largohemi prej udhës së drejtësisë duke menduar se do të përkrahim paqen, do ta kemi shumë gabim. Së pari të pastër, më pas paqësorë, është rregulli i urtësisë dhe i faktit. Le t’i përmbahemi sjelljes së Palit dhe do të kemi Perëndinë e paqes me ne, ashtu siç ishte me apostullin.
17 mars (Ki frikë të kesh frikë)
“Mos ki frikë para tyre, sepse Unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti.”
{#Jeremia 1 :8}
Sa herë që frika afrohet dhe na bën të lëkundemi, atëherë jemi në rrezikun e rënies në mëkat. Kryelartësia është për t’u druajtur, por edhe burracakëria gjithashtu. “Guxo te jesh një Daniel.” Kapiteni ynë i madh duhet të shërbehet prej ushtarësh trima. Çfarë arsye që ka këtu për trimëri. Perëndia është me ata që janë me Të. Perëndia nuk do të largohet kurrë kur vjen ora e betejës. A të kërcënojnë ata? Kush je ti qe ke frikë prej njeriut të vdekshëm? A ke për të humbur gjendjen tënde të mirë? Perëndia yt që ti shërben do të sigurojë bukë dhe ujë për shërbëtorët e Tij. A nuk mund t’i mirëbesosh Atij? A të përqeshin ata? A do të thyejë kjo gjë kockat e tua ose zemrën tënde? Duroje për hir të Krishtit dhe madje gëzohu për shkak të kësaj.
Perëndia është me të vërtetin, të drejtin, të shenjtin, për t’i çliruar ata dhe Ai do të të çlirojë. Kujto se si Danieli doli prej strofullës së luanit dhe të tre të rinjtë e shenjtë jashtë prej furrnaltës. Rasti yt nuk është aq i dëshpëruar sa i tyre, por edhe sikur të ishte i tillë, Zoti do të të mbështesë dhe do të të bëjë më shumë se një fitimtar. Ki frikë të kesh frikë. Druaj të druash. Armiku yt më i keq është përbrenda vetë kraharorit tënd. Gjunjëzohu dhe thërrit për ndihmë dhe më pas ngrihu më këmbë duke thënë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.”
18 mars (Vazhdo i drejtë)
“Lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen Atij.”
{#Fjalët e urta 15 :8}
Ky është po si një premtim, sepse shpall një fakt të tanishëm, i cili do të jetë i njëjti përgjatë kohërave. Perëndia gjen kënaqësi të madhe në lutjet e njerëzve të drejtë; Ai madje i quan ato ëndja e Tij. Shqetësimi ynë i parë është që të jemi të drejtë. Duke mos anuar as këndej e as andej,vazhdoni drejt; as të kërrusur nga diplomacia, as të përkulur duke iu lëshuar pe të ligës, jini të drejtë me ndershmëri të paepur dhe pa dredha. Nëse fillojmë ta dredhim, atëherë do të lihemi në rrugët tona. Nëse provojmë udhë të shtrembra, do të zbulojmë se nuk mund të lutemi dot dhe nëse pretendojmë ashtu, atëherë do të shikojmë lutjet tona të përjashtuara prej qiellit.
A po veprojmë në një vijë të drejtë dhe duke ndjekur kështu vullnetin e zbuluar të Zotit? Atëherë le të lutemi shumë dhe të lutemi me besim. Nëse lutja jonë është ëndja e Perëndisë, le të mos i japim pak Atij në atë që i jep Atij kënaqësi. Ai nuk i vë rëndësi gramatikës, metafizikës apo retorikës së saj; në të gjitha këto njerëzit mund ta përçmojnë lutjen. Ai, si një At, gjen kënaqësi në pëshpërimat e të sapolindurve të Tij, në belbëzimin e bijve dhe bijave të Tij të rilindur. A nuk duhet ne që të kemi ëndje në lutje përderisa Zoti ka ëndje në të? Le të shkojmë tek froni. Zoti gjen për ne mjaft arsye për lutje dhe ne duhet ta falënderojmë atë për këtë gjë.
19 mars (I përgatitur për lavdi)
“Zoti do të japë hir dhe lavdi.”
{#Psalmi 84:11}
Hiri është çfarë kemi nevojë pikërisht tani dhe duhet pasur falas. Çfarë mund të jetë vallë më falas se një dhuratë? Sot do të marrim hir mbështetës, forcues, shenjtërues, të kënaqshëm. Ai deri tani ka dhënë hir përditë dhe sa për të ardhmen, i njëjti hir është akoma i mjaftueshëm. Nëse kemi veçse pak hir, faji patjetër që është i yni, sepse Zoti nuk është i varfër dhe Ai nuk vonon ta japë atë me bollëk. Ne mund të kërkojmë aq sa të duam pa druajtur kurrë kundërshtimin. Ai jep pa kursim dhe pa qortuar. Zoti mund të mos japë ar, por ama Ai do të japë hir; Ai mund të mos japë fitim, por Ai do të japë hir.
Ai me siguri do të na dërgojë sprovë, por Ai do të japë hir në përpjesëtim. Ne mund të thirremi të punojmë dhe të vuajmë, por me thirrjen do të vijë i gjithë hiri i kërkuar. Çfarë dhe-je që ka në tekst—”dhe lavdi!” Ne akoma nuk kemi nevojë për lavdinë dhe nuk jemi akoma të përgatitur për të, por ama do ta kemi atë në kohën e duhur. Mbasi të kemi ngrënë bukën e hirit, ne do të pimë verën e lavdisë. Ne duhet të kalojmë përmes të shenjtit—që është hiri—te më i shenjti nga të gjithë—që është lavdia. Këto fjalë “dhe lavdi” mjaftojnë për të bërë një njeri të kërcejë nga gëzimi. Edhe pak—edhe pak dhe më pas lavdi përjetë!
20 mars (Furnizim hyjnor)
“Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t`ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?”
{#Mateu 6:30}
Rrobat janë të shtrenjta dhe besimtarët e varfër mund të jenë në ankth duke mos ditur se ku do ta gjejnë rrobat e nevojshme. Shollat janë konsumuar; ku do të gjejmë të holla për këpucë të reja? Shikoni se si Zoti ynë mendar ka siguruar ndaj këtij shqetësimi. Ati ynë qiellor vesh barin e fushës me një shkëlqesi të tillë sa edhe Solomoni nuk do të mund ta barazonte dot; a nuk do të veshë vallë Ai vetë fëmijët e Tij? Ne jemi të sigurtë se po. Mund të ketë shumë arna, por ama do të jemi të veshur.
Një shërbenjës i varfër i kishte rrobat gati të rreckosura dhe kaq shumë të rreckosura sa dukeshin se me zor do të mbanin, por duke qenë shërbëtor i Zotit ai priste që Padroni i Tij t’i gjente veshje. Ndodhi që shkruesi i këtyre fjalëve kur vizitoi një mik pati një shumë të hollash dhe i erdhi në mendje të bënte nje mbledhje ndihmash për të dhe ja u gjetën rrobat për të. Në shumë raste të tjera kemi parë se ata që kanë shërbyer Zotin kanë zbuluar se Ai merr në konsideratë gardërobën e tyre. Ai që bëri njeriun në mënyrë të tillë që kur njeriu mëkatoi kishte nevojë për veshje, po ashtu në mëshirë e Tij i siguroi veshje dhe veshjet që Zoti i dha paraardhësve tanë të parë ishin shumë më të mira se veshjet që ata bënë për veten e tyre.
21 mars (Shmang rrëshqitjen)
“Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.”
{#Fjalët e urta 3:23}
Kjo do të thotë se nëse ndjekim shtigjet e urtësisë dhe shenjtërisë, atëherë do të ruhemi në to. Ai që udhëton ditën, është nën mbrojtjen e mbretit. Ka një rrugë për çdo njeri, domethënë, vetë thirrja e tij e duhur në jetë dhe nëse ne ecim aty me përkushtim në frikën e Perëndisë atëherë Ai do të na ruajë prej së ligës. Mund të mos udhëtojmë me gjithë të mirat, por ama do të ecim me siguri. Mund të mos jemi të aftë të vrapojmë si i riu, por ama do të jemi të aftë të ecim si njeriu i mirë. Rreziku ynë më i madh gjendet brenda nesh; këmba jonë e dobët është për fat të keq e prirur të pengohet. Le të kërkojmë për më shumë fuqi morale me qëllim që prirja jonë për të rrëshqitur të mund të mposhtet. Disa pengohen sepse nuk e shikojnë gurin përgjatë rrugës; hiri hyjnor na mundëson që të dallojmë mëkatin dhe kështu që ta mënjanojmë atë. Le ta marrim në mbrojtje këtë premtim dhe t’i mirëbesojmë Atij që mbështet të zgjedhurit e Tij.
Sa keq! rreziku ynë më i keq është vetë pakujdesia jonë, por kundra kësaj Zoti Jezus na ka paralajmëruar, duke na thënë, “Rrini zgjuar dhe lutuni.” Oh paçim hir për të ecur këtë ditë pa as dhe një pengim! Nuk është e mjaftueshme që me të vërtetë nuk biem; klithma jonë duhet të jetë që të mos bëjmë as rrëshqitjen më të vogël me këmbën tonë dhe së fundi të mund të adhurojmë Atë “që mund të na ruajë nga çdo rrëzim.”
22 mars (Hir për të përulurit)
“Ai u jep hir të përulurve.”
{#Jakobi 4:6}
Zemrat e përulura kërkojnë hir dhe prandaj e marrin atë. Zemrat e përulura i jepen ndikimeve të ëmbla të hirit dhe kështu që i jepet atyre hir gjithnjë e më shumë. Zemrat e përulura qëndrojnë në luginat ku ujërat e hirit janë duke rrjedhur dhe kështu që ato pinë aty. Zemrat e përulura janë mirënjohëse për hirin dhe i japin Zotit lavdi për të dhe prandaj është e pajtueshme me nderin e Tij t’u japë atyre hir.
Eja, lexues i shtrenjtë, zë një vend të përulur. Ji i vogël në vetë vlerësimin tënd, me qëllim që Zoti të të rrisë. Ndoshta psherëtima shpërthen, “kam frikë se nuk jam i përulur.” Mund të jetë e mundur se kjo është gjuha e përulësisë së vërtetë. Disa janë krenarë se janë të përulur dhe kjo është një prej llojeve më të këqija të krenarisë. Ne jemi krijesa nevojtare, të pafuqishme, të padenjë dhe nëse nuk jemi të përulur atëherë duhet që të jemi të tillë. Le të përulim veten për shkak të mëkateve tona kundër përulësisë dhe atëherë Zoti do të na japë të shijojmë prej favorit të Tij. Është hiri që na bën të përulur dhe është hiri që gjen në këtë përulësi një mundësi për të derdhur akoma më shumë hir. Le të zhytemi poshtë që të ngrihemi lart. Le të jemi të varfër në frymë që Perëndia të mund të na bëjë të pasur. Le të jemi të përulur që të mos kemi nevojë të përulemi, por që të lartësohemi prej hirit të Perëndisë.
23 mars (Një Udhërrëfyes i sigurt)
“Do t’i bëj të verbrit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin.”
{#Isaia 42:16}
Mendo mbi Jehovain e lavdishëm dhe të pafund duke vepruar si një Udhërrëfyes për të verbrin! Çfarë begenisje e pashoqe që do të thotë kjo! Një i verbër nuk mund ta gjejë dot një rrugë që nuk e njeh! Edhe kur ai e njeh rrugën, është e vështirë për të ta përshkojë, por një rrugë që ai nuk e njeh nuk është për këmbët e tij të pa udhëhequra. Tani, ne jemi prej natyre të verbër përsa i përket rrugës së shpëtimit dhe prapëseprapë Zoti na udhëheq tek kjo rrugë, na sjell te Vetja e Tij dhe më pas hap sytë tanë. Përsa i përket së ardhmes, ne të gjithë jemi të verbër dhe nuk mund të shikojmë madje edhe një orë përpara nesh, por Zoti Jezus do të na udhëheqë deri në fund të udhëtimit tonë. I bekuar qoftë emri i Tij!
Ne nuk mund të gjejmë dot se në cilën mënyrë mund të na vijë çlirimi, por Zoti e di dhe Ai do të na udhëheqë derisa t’i kemi shpëtuar çdo rreziku. Lum ata që e vendosin dorën e tyre në atë të Udhërrëfyesit të madh dhe e lënë udhën dhe veten e tyre tërësisht në dorën e Tij. Ai do të jetë me ta gjatë gjithë rrugës dhe kur do t’i ketë sjellë në vendin e lavdisë dhe do të ketë hapur sytë e tyre për të parë udhën nëpërmjet të cilës Ai i ka udhëhequr, çfarë kënge mirënjohjeje ata do t’i këndojnë Bamirësit të tyre të madh! Zot, udhëhiq këtë ditë fëmijën tënd të gjorë të verbër, sepse nuk e njoh rrugën time!
24 mars (Të forcuar dhe të ruajtur)
“Por Zoti është besnik dhe Ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu.”
{# 2 Thesalonikasve 3:3}
Njerëzit janë shpesh po aq pa arsye sa edhe pa besim. Ka me ne akoma “njerëz të çoroditur dhe të këqij.” Nuk sjell gjë dobi të diskutosh me ta ose të përpiqesh të jesh në paqe me ta; ata janë fals në zemër dhe mashtrues në fjalë. Epo, si i bëhet pra? A do të prishim gjakun prej tyre? Jo; le të kthehemi te Zoti, sepse Ai është besnik. Asnjë premtim prej Fjalës të Tij nuk do të thyhet ndonjëherë. Ai nuk është as i paarsyeshëm në kërkesat e Tij ndaj nesh, as i pabesë ndaj përgjërimeve tona ndaj Tij. Ne kemi një Perëndi besnik. Le të jetë ky gëzimi ynë. Ai do të na forcojë kështu që njerëzit e këqij nuk do të jenë shkak për rrëzimin tonë dhe Ai do të na ruajë kështu që asnjë prej të ligave që tani na mësyjnë nuk do të na dëmtojnë me të vërtetë.
Çfarë bekimi për ne që nuk kemi pse të luftojmë me njerëzit, por që jemi lejuar të strehohemi në Zotin Jezus, që ka dashamirësi autentike ndaj nesh. Ka një zemër të vërtetë, një mendje besnike, një Dashuri të pandryshueshme; këtu le të prehemi. Zoti do të përmbushë qëllimin e hirit të Tij për ne që jemi shërbëtorët e Tij dhe nuk kemi pse të lejojmë as dhe hijen e frikës të bjerë mbi frymët tona. Asgjë prej gjithçkaje që njerëzit ose djajtë mund të bëjnë nuk mund të na pengojë prej mbrojtjes dhe furnizimit hyjnor. Këtë ditë, le të lusim Zotin për të na forcuar dhe për të na ruajtur.
25 mars (Gjumë freskues)
“Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.”
{#Fjalët e urta 3:24}
A është lexuesi ndoshta duke zënë shtratin i sëmurë për një farë kohe? Le të shkojë në dhomën e gjumit pa pikëllim me këtë premtim në zemrën e tij—”Kur do biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë.” Kur biem natën në shtrat, kjo fjalë le të zbusë jastëkun tonë. Ne nuk mund ta ruajmë veten në gjumë, por Zoti do të na ruajë gjatë gjithë natës. Ata që bien për të fjetur nën mbrojtjen e Zotit, janë po aq të sigurtë sa mbretërit dhe mbretëreshat në pallatet e tyre dhe akoma më shumë se kaq. Nëse kur ne biem për të fjetur, ka një lëshim të të gjitha shqetësimeve dhe ambicieve, atëherë do të marrim një freskim të tillë prej shtretërve tanë sa i ankthshmi dhe lakmitari nuk gjejnë kurrë në shtretërit e tyre. Ëndrrat e këqija do të zhduken ose edhe sikur të vijnë të tilla ëndrra, ne do të fshijmë përshtypjen e tyre, duke ditur se nuk janë veçse ëndrra. Nëse flemë kështu, atëherë do jetë mirë për ne.
Nëse flemë kështu, atëherë do të jetë mirë për ne. Sa ëmbël që Pjetri ra në gjumë atëherë kur edhe drita e engjëllit nuk e zgjoi atë dhe ai pati nevojë për një shkundje të fortë në ije për ta zgjuar. Dhe prapëseprapë ai ishte dënuar të vdiste të nesërmen. Kështu kanë fjetur martirët përpara djegies në turrën e druve. “Sepse Ai u jep pushim atyre që do.” Për të pasur gjumë të ëmbël duhet të kemi jetë të ëmbla, karaktere të ëmbla, përsiatje të ëmbla dhe dashuri të ëmbël.
26 mars (Përkujdes për të varfrin)
“Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes.”
{#Psalmi 41:3}
Kujto se ky është një premtim për njeriun që merr në konsideratë të varfrin. A je një prej këtyre? Atëherë merre për veten tënde këtë tekst. Shiko se si në orën e sëmundjes Perëndia i të varfrit do të bekojë njeriun që përkujdeset për të varfrin! Krahët e përjetshëm do të mbajnë shpirtin e tij ashtu si krahë miqësorë dhe ashtu si jastëkët e buta mbajnë trupin e të sëmurit. Sa e butë dhe dashamirëse që është kjo shëmbëlltyrë; sa afër e sjell Perëndinë tonë me dobësitë dhe sëmundjet tona! Kush e ka dëgjuar këtë ndonjëherë për Jupiterin e vjetër pagan, ose për idhujt e Indisë ose Kinës?
Kjo është gjuhë e veçantë për Perëndinë e Izraelit; është Ai që begenis të bëhet infermier dhe mjek për njerëzit e mirë. Nëse godet me njërën dorë, me tjetrën mban. Oh, është sëmundje e bekuar kur dikush bie mbi vetë kraharorin e Zotit dhe mbahet aty! Hiri është rimëkëmbësi më i mirë; dashuria hyjnore është stimuluesi më i sigurtë për një të sëmurë që lëngon; e bën shpirtin të fortë si një gjigant edhe atëherë kur kockat janë duke dalë jashtë lëkurës. Nuk ka mjek si Zoti, nuk ka tonik si premtimi i Tij, nuk ka verë si dashuria e Tij. Nëse lexuesi ka dështuar në detyrën e tij ndaj të varfrit, le të kuptojë se çfarë është duke humbur dhe menjëherë le të bëhet miku dhe ndihmësi i tyre.
27 mars (Afër Perëndisë)
“Afrohuni te Perëndia dhe Ai do t’ju afrohet juve.”
{#Jakobi 4 :8}
Aq më shumë që i afrohemi Perëndisë, aq më hirshëm Ai do të na shfaqë Veten e Tij. Kur plëngprishësi vjen te i ati i tij, ky vrapon ta takojë. Kur pëllumbi shtegtues kthehet te arka, Noeu nxjerr jashtë dorën për ta tërhequr brenda. Kur gruaja e ëmbël kërkon shoqërinë e burrit të saj, ai vjen te ajo me krahë dashurie. Eja pra mik i shtrenjtë, le të afrohemi te Perëndia që na pret kaq hirshëm, po, që vjen të na takojë.
A e keni vënë re ndonjëherë atë varg te Isaia 58:9? Zoti duket se e vë Veten e Tij në dispozicion të popullit të Tij, duke i thënë, “Ja ku jam.” Njësoj si të thuash— “Çfarë keni për të më thënë? Çfarë mund të bëj për ju? Po pres që t’ju bekoj.” Si mund të ngurrojmë vallë të afrohemi? Perëndia është afër për të falur, për të bekuar, për të ngushëlluar, për të ndihmuar, për të ngjallur, për të çliruar. Le të jetë pikësynimi ynë kryesor t’i afrohemi Perëndisë. Nëse kemi bërë këtë, atëherë kemi bërë gjithçka. Nëse i afrohemi të tjerëve, ata shpejt mund të lodhen prej nesh dhe të na braktisin, por nëse kërkojmë vetëm Zotin, asnjë ndryshim nuk do t’i përshkojë mendjen, por Ai do të vazhdojë të na afrohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet një shoqërimi më të plotë dhe më të gëzueshëm.
28 mars (Udhëhiq)
“Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti.”
{#Ligji i përtërirë 28 :13}
Nëse i bindemi Zotit, Ai do të detyrojë kundërshtarët tanë të shikojnë se bekimi i Tij qëndron mbi ne. Edhe pse ky është një premtim i ligjit, prapëseprapë i përket popullit të Perëndisë, sepse Jezusi hoqi tutje mallkimin dhe vendosi bekimin. I përket shenjtorëve të udhëheqin mes njerëzve nëpërmjet një ndikimi të shenjtë; ata nuk duhet të jenë bishti, nuk duhen të zvarriten sa andej këndej prej të tjerëve. Ne nuk duhet t’i lëshojmë pe frymës së kohës ku jetojmë, por duhet që të shtrëngojmë kohën ku jetojmë, t’i bëj homazh Krishtit.
Nëse Zoti është me ne, ne nuk do të kërkojmë tolerancë për besimin, por do të kërkojmë ta ulim besimin në fronin e shoqërisë. A nuk i ka bërë vallë Zoti Jezus njerëzit e Tij priftërinj? Me siguri që ata kanë për të mësuar të tjerët dhe nuk duhet që të mësohen prej filozofive të jobesimtarëve. A nuk jemi bërë në Krisht mbretër për të mbretëruar mbi tokë? Atëherë pra a mund të jemi shërbëtorët e zakonit, skllevërit e opinionit njerëzor? Mik i shtrenjtë, a ke zënë vendin tënd të vërtetë për Jezusin? Shumë heshtin ngaqë janë ngurrues, në mos burracakë. A duhet që të lejojmë që emri i Zotit Jezus të mbahet në hije? A duhet që besimi ynë të zvarritet si një bisht? A nuk duhet përndryshe që të udhëheqë dhe të jetë forca sunduese me ne dhe me të tjerët?
29 mars (Besim i paepur)
“Sepse Unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty.”
{#Veprat 18 :10}
Për aq gjatë sa Zoti pati punë për Palin për të kryer në Korint, furia e turmës u përmbajt. Hebrenjtë kundërshtuan dhe blasfemuan, por ama ata nuk mundën as të ndalonin predikimin e ungjillit, as kthimin në besim të dëgjuesve. Perëndia ka pushtet mbi mendjet më të dhunshme. Ai e bën zemërimin e njeriut ta lavdërojë Atë kur shpërthen me të madhe, por Ai shfaq akoma më shumë mirësinë e Tij kur e përmban atë dhe Ai mund ta përmbajë atë. “Falë forcës së krahut Tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, deri sa populli Yt, o Zot, të kalojë.”
Prandaj mos ndje as dhe një frikë prej njeriut kur e di se po bën detyrën tënde. Shko përpara drejt, ashtu si Jezusi do të kishte bërë dhe ata që kundërshtojnë do të jenë si një kallam i thyer dhe si një kandil që bën tym. Shumë herë njerëzit kanë pasur arsye të kenë frikë, sepse ishin vetë të frikësuar, por një besim i paepur në Perëndi e fshin frikën tutje ashtu si rrjeta merimange në shtegun e një gjiganti. Asnjë njeri nuk mund të na dëmtojë po të mos e lejojë Zoti. Ai që e bën me një fjalë vetë djallin t’ia mbathë mund me siguri të kontrollojë agjentët e tij. Ndoshta ata kanë tashmë më shumë frikë prej teje se sa ti ke prej tyre. Prandaj, shko përpara dhe atje ku mendon se do të ndeshësh armiq, do të gjesh miq.
30 mars (Lutje, falënderim, lavdërim)
“Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.”
{#Filipianëve 4 :6,7}
Jo shqetësim, por përplot lutje. Jo ankth, por shumë shoqërim të gëzueshëm me Perëndinë. Çoja dëshirat e tua Zotit të jetës tënde, rojtarit të shpirtit tënd. Shko te Ai me dy masa lutjesh dhe me një masë lëvdimi që lëshon aromë të mirë. Mos u lut plot mëdyshje, por plot me falënderim. Merr në konsideratë se ke peticionet e tua dhe prandaj falëndero Perëndinë për hirin e Tij. Ai është duke të dhënë hir, falënderoje. Mos fshih asgjë. Mos lejo asnjë kërkesë të qëndrojë e fshehur në kraharorin tënd; “parashtroni kërkesat tuaja.”
Mos vrapo te njeriu. Shko vetëm te Perëndia yt, Ati i Jezusit, që të do në Të. Kjo do të të sjellë vetë paqen e Perëndisë. Nuk do të mundesh dot të kuptosh paqen që do të gëzosh. Do të të mbështjellë në përqafimin e saj të pafund. Zemra dhe mendja në Krishtin Jezus, do të zhyten në një det prehjeje. Ardhtë jetë ose vdekje, varfëri, dhimbje, shpifje, do të qëndrosh në Jezusin sipër çdo ere të fortë ose reje të errët. A nuk do t’i bindesh vallë këtij urdhërimi të dashur? Po, Zot, të besoj me të vërtetë, por, të përgjërohem, ndihmomë ta mposht mosbesimin tim.
31 mars (Vetëkontroll dhe gjakftohtësi)
“Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.”
{#Fjalët e urta 3 :25,26}
Kur Perëndia ka dalë jashtë për gjykime, Ai nuk do që njerëzit e Tij të alarmohen. Ai nuk ka dalë për të dëmtuar, por për të mbrojtur të drejtin. Ai do që ata të shfaqin kurajë. Ne që gëzojmë praninë e Perëndisë duhet të shfaqim vetëkontroll dhe gjakftohtësi. Përderisa Vetë Zoti mund të vijë papritur, ne nuk duhet të befasohemi prej diçkaje të papritur. Qetësia e patrazuar nga vërshimi dhe buçima e të ligave të papritura është një dhuratë e çmuar e dashurisë hyjnore.
Zoti do që të zgjedhurit e Tij të tregojnë dallim, që të mund të kuptojnë se shkretimi i të ligut nuk është një fatkeqësi e vërtetë për universin. Vetëm mëkati është i lig; ashtu si vetia ruajtëse e kripës, dënimi që vjen më pas, ruan shoqërinë prej kalbëzimit. Ne duhet të jemi më të shtangur prej mëkatit që meriton ferrin se sa prej ferrit që vjen prej mëkatit. Po ashtu, njerëzit e Zotit duhet të nxjerrin në pah një qetësi të madhe fryme. Satanai dhe fara e tij e gjarprit janë plot me dhelpëri, por ata që ecin me Perëndinë nuk do të kapen në kurthet e tyre mashtruese. Besimtar në Jezus, shko përpara dhe bëje Zotin sigurinë tënde.