Një premtim prej Zotit mund të krahasohet në mënyrë shumë mësimdhënëse me një çek. I është dhënë besimtarit me pikësynimin për t’i falur diçka të mirë. Nuk është synuar që ai ta lexojë përciptas dhe më pas të ketë mbaruar punë me të. Jo, ai duhet ta trajtojë premtimin si një realitet, ashtu si një njeri shikon një çek.
Ai duhet ta marrë premtimin dhe ta kundërfirmosë me vetë emrin e tij duke e pranuar personalisht si të vërtetë. Ai duhet ta pranojë si të vetin. Ai vë vulën se Zoti është i vërtetë dhe i vërtetë në lidhje me këtë fjalë të veçantë premtimi. Ai shkon më tej akoma dhe beson se ka bekimin duke pasur premtimin e sigurt të tij dhe prandaj vë emrin e tij për të vërtetuar marrjen e bekimit.
1 nëntor (Përkryerje dhe ruajtje)
“Besnik është Ai që ju thërret, i Cili edhe do ta bëjë.”
{#1 Thesalonikasve 5:24}
Çfarë do të bëjë Ai? Ai do të na shenjtërojë tërësisht. Shikoni vargun e mëparshëm. Ai do të vazhdojë veprën e pastrimit derisa të jemi të përkryer në çdo pjesë. Ai do të ruajë “gjithë frymën tonë, shpirt e trup, pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.” Ai nuk do të lejojë që ne të biem prej hirit as të hyjmë nën sundimin e mëkatit. Çfarë favore të mëdha që janë këto! Me të drejtë do të adhuronim dhënësin e dhuratave të tilla të pashprehshme.
Kush do ta bëjë këtë? Zoti që na ka thirrur prej errësirës për në dritën e Tij të mrekullueshme, prej vdekjes në mëkat për në jetën e përjetshme në Krishtin Jezus. Vetëm Ai mund të bëjë këtë; një përsosje dhe ruajtje e tillë mund të vijë vetëm prej Perëndisë të çdo hiri. Pse do ta bëjë Ai këtë? Ngaqë Ai është “besnik”—besnik ndaj vetë premtimit të Tij për të shpëtuar besimtarin; besnik ndaj Birit të Tij, shpërblimi i të Cilit është se populli i Tij do të paraqitet para Tij pa të meta; besnik ndaj veprës që Ai ka filluar në ne me anë të thirrjes sonë të efektshme. Nuk është mbi vetë besnikërinë e tyre, por mbi vetë besnikërinë e Zotit që shenjtorët mbështeten. Eja, shpirti im, këtu ka një festë të madhërishme për të filluar me të një muaj me mot të rënduar. Mund të ketë mjegull jashtë, por përbrenda do të ketë dritë dielli.
2 nëntor (Pasuri hyjnore)
“Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.”
{#Psalmi 84:11}
Zoti mund të refuzojë shumë gjëra të këndshme, por ama “asnjë të mirë.” Ai është gjykatësi më i mirë i asaj që është e mirë për ne. Disa gjëra janë me siguri të mira dhe mund t’i kemi duke i kërkuar nëpërmjet Jezu Krishtit Zotit tonë. Shenjtëria është një gjë e mirë dhe këtë Ai do ta jetësojë në ne falas. Fitoren mbi prirjet e liga, zemërimit të fortë dhe zakoneve të këqija, Ai do ta japë me kënaqësi dhe ne nuk duhet që të mbesim pa të. Ai do të japë siguri të plotë dhe shoqërim të afërt me Veten e Tij, hyrje në çdo të vërtetë dhe kurajë ngadhënjimtare në fronin e mëshirës.
Nëse nuk i kam të gjitha këto, kjo vjen prej mungesës së besimit për të marrë dhe jo prej ndonjë mosdashje të Perëndisë për të dhënë. Një gjendje të qetë e qiellore, një durim të madh dhe dashuri të zjarrtë—të gjitha këto, Ai do t’ia japë zellit të shenjtë. Mirëpo vini re mirë se ne duhet që “të ecim drejt.” Nuk duhet që të ketë qëllime hileqare as sjellje të shtrembër, as hipokrizi as mashtrim. Nëse ne ecim me dredhi Perëndia nuk mund të na japë favore, sepse kjo do të ishte një nxitje për mëkatin. Rruga e drejtësisë është rruga e pasurisë qiellore—një pasuri kaq e madhe sa përfshin çdo gjë të mirë. Çfarë premtimi për t’u marrë në mbrojtje në lutje! Le të biem në gjunjë.
3 nëntor (Në kohën e Perëndisë)
“Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; nëse vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.”
{#Habakuku 2:3}
Mëshira mund të duket e ngadaltë, por ama është e sigurtë. Zoti në urtësi të pagabueshme ka caktuar një kohë për shfaqjen e pushtetit të Tij të hirshëm dhe koha e Perëndisë është koha më e mirë. Ne nxitojmë, vegimi i bekimit nxit dëshirën tonë dhe shpejton dëshirën tonë të fortë, por Zoti do të mbajë kohën e caktuar prej Tij. Ai kurrë nuk është para kohe; Ai kurrë nuk është me vonesë.
Këtu flitet për fjalën e Perëndisë si një gjë e gjallë që do të flasë dhe do të vijë. Ajo nuk është kurrë një gërmë e vdekur ashtu si tundohemi të pandehim atëherë kur kemi pritur gjatë për përmbushjen e saj. Fjala e gjallë vjen prej Perëndisë të gjallë dhe edhe pse duket se po vonohet, në të vërtetë nuk është ashtu. Perëndia nuk është me vonesë. Është vetëm një çështje durimi dhe shpejt do të shikojmë për veten tonë besnikërinë e Zotit. Asnjë premtim i Tij nuk do të dështojë; “Ai nuk do të gënjejë.” Asnjë premtim i Tij nuk do të humbasë në heshtje; “Ai do të flasë.” Oh çfarë ngushëllimi që do t’i shprehë veshit besimtar! Asnjë premtim i Tij nuk do të ketë nevojë të ribëhet ashtu si një faturë që nuk mund të paguhet në ditën e duhur—”Ai nuk do të vonojë.” Eja shpirti im, a nuk pret dot për Perëndinë tënd? Prehu te Ai dhe ji i qetë me një paqe të pashprehshme.
4 nëntor (Merruni me gropat)
“Atëherë ai tha: “Kështu flet Zoti: “Gërmoni shumë gropa në këtë luginë”. Sepse kështu thotë Zoti: “Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.”
{#2 Mbretërit 3:16,17}
Tre ushtri po vdisnin nga etja dhe Zoti ndërhyri. Edhe pse Ai nuk dërgoi as re as shi, prapëseprapë Ai furnizoi me ujë të bollshëm. Ai nuk varet nga metoda të zakonshme, por mund të befasojë popullin e Tij me risi urtësie dhe fuqie. Kështu ne bëhemi që të shohim më shumë prej Perëndisë se sa do të mund të kishin zbuluar proceset e zakonshme. Edhe pse Zoti mund të mos shfaqet për ne sipas mënyrës që e prisnim, ose e dëshironim ose e përfytyronim, prapëseprapë Ai, në ndonjë mënyrë ose tjetër, do të na furnizojë. Është një bekim i madh për ne të ngrihemi mbi shikimin e shkaqeve dytësore me qëllim që të vështrojmë fytyrën e Shkakut të Parë të madh.
A kemi këtë ditë hir të mjaftueshëm për të bërë gropa ku bekimi hyjnor të mund të rrjedhë? Sa keq! Ne shpesh dështojmë në nxjerrjen në pah të besimit të vërtetë dhe praktik. Këtë ditë le të përgjojmë për përgjigje ndaj lutjeve. Ashtu si fëmija që shkoi në një takim të lutej që të binte shi, mori një çadër me vete, po ashtu le të presim Zotin për të na bekuar me të vërtetë dhe praktikisht. Le ta bëjmë luginën plot me gropa dhe të presim t’i shikojmë të mbushura.
5 nëntor (Ajo çfarë është e dhimbshme do të marrë fund)
“Sepse Unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë,përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtrat që kam bërë.”
{#Isaia 57:16}
Ati ynë qiellor kërkon mësimin tonë dhe jo shkatërrimin tonë. Kundërshtimi që kemi prej Tij ka një qëllim të mirë ndaj nesh. Ai nuk do të jetë përherë në luftë me ne. Ne mendojmë se Zoti e zgjat shumë në ndreqjet e Tij, por ne mendojmë kështu ngaqë durimi ynë i bie shkurt. Dhembshuria e Tij zgjat përherë, por ama jo kundërshtimi i Tij. Nata mund të zgjasë e të zvarritet, por ama në fund do t’i lërë vendin ditës së gëzueshme. Ashtu si kundërshtimi është për një periudhë, po ashtu zemërimi që e sjell atë, është vetëm për një çast të vogël. Zoti i do shumë të zgjedhurit e Tij për të qenë përherë i zemëruar me to.
Sikur Ai të na trajtonte përherë ashtu si na trajton me të vërtetë ndonjëherë, atëherë do të mekeshim tërësisht, do të zbrisnim poshtë pa shpresë në portat e vdekjes. Kurajë, zemër e shtrenjtë! Zoti shpejt do t’i japë fund ndreqjes. Mbahu, sepse Zoti do të të mbajë dhe do të të mbajë deri në fund. Ai që të ka bërë e di se sa i brishtë që je dhe sa pak mund të mbash. Ai do ta trajtojë me butësi atë që ka formuar me kaq delikatesë. Kështu që mos ki frikë prej së tashmes së dhimbshme, sepse ajo shpie me shpejtësi në një të ardhme të lumtur. Ai që të goditi do të të shërojë, zemërimi i Tij i vogël do të ndiqet prej mëshirash të mëdha.
6 nëntor (Ëndje dhe dëshira)
“Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.”
{#Psalmi 37:4}
Ëndja në Perëndinë ka një fuqi shndërruese dhe e ngre një njeri mbi dëshirat e ulëta të natyrës sonë të rënë. Ëndja në Jehovain, jo vetëm që është e ëmbël në vetvete, por ëmbëlson të gjithë shpirtin aq sa dëshirat e forta të zemrës bëhen të tilla sa Zoti premton me siguri se do t’i përmbushë. A nuk është një kënaqësi e madhe ajo që modelon dëshirat tona derisa ato janë si dëshirat e Perëndisë? Mënyra jonë e çmendur është të dëshirojmë dhe më pas t’i vihemi punës për t’u rrekur të arrijmë atë çfarë dëshirojmë. Ne nuk fillojmë duke punuar sipas mënyrës së Perëndisë, që është ta kërkosh Atë së pari dhe më pas të presësh që të gjitha gjërat e tjera të na shtohen.
Nëse e lëmë zemrën tonë të mbushet me Perëndinë, derisa të ngopet me ëndje, atëherë Vetë Zoti do të përkujdeset që të mos na mungojë asnjë gjë e mirë. Në vend që të dalim jashtë për zbavitje, le të qëndrojmë brenda me Perëndinë dhe të pimë ujëra prej vetë burimit tonë. Ai mund të bëjë për ne shumë më tepër se të gjithë miqtë tanë. Është më mirë të jesh i kënaqur vetëm me Perëndinë, se sa të vish rrotull duke u shqetësuar dhe prishur gjakun prej çikërrimave mediokre të kohës ku jetojmë. Për një farë kohe mund të kemi zhgënjime, por nëse këto na sjellin më afër me Zotin, atëherë janë gjëra që duhen çmuar jashtëzakonisht shumë sepse në fund ato do të na sigurojnë përmbushjen e të gjitha dëshirave tona të drejta.
7 nëntor (Përulësia e vërtetë e shpërblyer)
“Kush ulet, do të lartohet.”
{#Lluka 18:14}
Nuk duhet të jetë e vështirë për ne, të përulim veten, sepse çfarë kemi ndonjë gjë për t’u mburrur? Ne duhet të zëmë vendin më të ulët, pa na u thënë të bëjmë ashtu. Nëse jemi të ndjeshëm dhe të ndershëm do të jemi të vegjël në vetë sytë tanë. Sidomos para Zotit në lutje, do të zvogëlohemi në hiç gjë. Atje ne nuk mund të flasim për meritë, sepse nuk kemi asnjë; përgjërimi ynë i vetëm duhet t’i drejtohet mëshirës: “O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit.”
Këtu ka prej fronit një fjalë të gëzueshme. Ne do të lartësohemi prej Zotit, nëse e përulim veten. Për ne, rruga përpjetë është tatëpjetë. Kur zhvishemi prej vetes, vishemi me përulësi dhe kjo është rroba më e mirë. Zoti do të na lartësojë në paqe dhe lumturi mendjeje; Ai do të na lartësojë në njohjen e Fjalës së Tij dhe në shoqërimin me Të; Ai do të na lartësojë në gëzimin e faljes dhe të drejtësimit të sigurtë. Zoti vendos nderet e Tij mbi ata që mund t’i veshin për nder të Dhënësit. Ai i jep dobishmëri, pranim dhe ndikim atyre që nuk do të fryhen prej këtyre ndereve, por do të ulen prej një ndijimi të një përgjegjësie më të madhe. As Perëndia, as njeriu nuk do ta vrasin mendjen për të ngritur një njeri që ngre veten, por si Perëndia ashtu dhe njerëzit e mirë bashkohen për të nderuar vlerën modeste. O Zot fundose veten time që të mund të lartohem në Ty.
8 nëntor (Plotmjaftueshmëria e Hirit)
“Hiri Im të mjafton, sepse fuqia Ime përsoset në dobësi.”
{#2 Korintasve 12:9}
Dobësia jonë duhet të çmohet ngaqë i bën vend fuqisë hyjnore. Ne nuk do ta kishim njohur kurrë fuqinë e hirit, sikur të mos e kishim ndjerë dobësinë e natyrës sonë. Bekuar qoftë Zoti për gjembin në mish dhe për korrierin e satanait, kur ata na shpien në fuqinë e Perëndisë. Kjo është fjalë e çmueshme prej vetë gojës së Zotit tonë. Ajo e bëri shkruesin e saj të ngazëllonte. Hiri i Perëndisë i mjaftueshëm për mua! Ashtu është me të vërtetë. A nuk është qielli i mjaftueshëm për zogjtë dhe oqeani i mjaftueshëm për peshqit? I Gjithëmjaftueshmi është i mjaftueshëm për nevojën time më të madhe. Ai që është i mjaftueshëm për tokën dhe qiellin, është me siguri i aftë t’i dalë për zot një krimbi të gjorë si unë.
Kështu që, le të mbështetemi te Perëndia dhe në hirin e Tij. Nëse nuk e heq brengën tonë, Ai do na mundësojë ta mbajmë atë. Forca e Tij do të derdhet brenda nesh, derisa krimbi të rrëzojë male; dhe një hiç gjë do të jetë ngadhënjimtar mbi të gjithë të fuqishmit. Është më mirë për ne të kemi forcën e Perëndisë se sa forcën tonë, sepse sikur të ishim një mijë herë më të fortë se ç’jemi, nuk do të hynte në punë para fytyrës së armikut dhe sikur të ishim më të dobët se ç’jemi, gjë që është shumë pak e mundur, prapëseprapë ne do të mund të bëjmë çdo gjë nëpërmjet Krishtit.
9 nëntor (Njohuri e nevojshme)
“Kështu ata do të pranojnë që Unë, Zoti, Perëndia i tyre, jam me ta, dhe që ata, shtëpia e Izraelit, janë populli Im”, thotë Zoti, Zoti.”
{#Ezekiel 34:30}
Të jesh populli i Vetë Zotit është një bekim i zgjedhur, por të dish se jemi të tillë është një bekim ngushëllues. Një gjë është të shpresosh se Perëndia është me ne dhe një gjë tjetër të dish se Ai është me ne. Besimi na shpëton, por siguria na kënaq. Ne e marrim Perëndinë si Perëndinë tonë kur besojmë në Të, por ne gëzohemi në Të kur e dimë se Ai është yni dhe se ne jemi të Tijët. Asnjë besimtar nuk duhet të mbetet i kënaqur me të shpresuarin dhe të besuarin, por duhet që t’i kërkojë Zotit ta shpjerë në siguri të plotë, kështu që çështje shprese të mund të bëhen çështje sigurie.
Është atëherë kur gëzojmë bekime besëlidhëse dhe e shikojmë Zotin tonë Jezus të ngritur për ne si një kopsht me famë të madhe, që arrijmë në një njohje të qartë të favorit të Perëndisë ndaj nesh. Jo nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet hirit, ne mësojmë me të vërtetë se jemi populli i Zotit. Le të kthejmë gjithmonë sytë në drejtimin e hirit falas. Siguria e besimit nuk mund të vijë kurrë me anë të veprave të ligjit. Është një virtyt ungjillor dhe mund të arrihet vetëm në një mënyrë ungjillore. Le të mos shikojmë përbrenda vetes sonë. Le të shikojmë vetëm te Zoti. Zot, na dërgo një baticë të tillë të dashurisë Tënde që të rrëmbehemi mbi baltën e dyshimit dhe frikës.
10 nëntor (Ecje pa pengim)
“Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët.”
{#Psalmi 121:3}
Nëse Zoti nuk do ta lejojë, as njerëzit dhe as djajtë nuk mund ta realizojnë dot. Sa me të madhe ata do të gëzoheshin sikur të na rrëzonin në mënyrë çnderuese, të na lëviznin prej pozicionit tonë dhe të na flaknin një herë e përgjithmonë prej kujtesës! Ata do ta bënin këtë gjë me gëzim zemre sikur të mos kishte një pengesë dhe vetëm një: Zoti nuk do ta lejojë dhe nëse Ai nuk do ta lejojë, ne nuk do ta lejojmë.
Rruga e jetës është njësoj si të udhëtosh mes Alpeve. Mes shtigjeve malësore njeriu rrezikon vazhdimisht rrëshqitjen e këmbës. Atje ku rruga është e lartë jemi të prirur të na merren mendtë dhe atëherë këmba rrëshqet shpejt; ka vende që janë të lëmuara si pasqyrë dhe të tjera vende që janë të ashpër me gurë dhe në të dyja rastet rënia është e vështirë për t’u shmangur. Ai që përgjatë jetës është i mundësuar të ruajë veten drejt dhe të ecë pa u rrëzuar, ka arsyen më të mirë për mirënjohjeje. Me grackat dhe kurthet, me gjunjë të dobët, këmbë të lodhura dhe armiq dinakë, asnjë fëmijë i Perëndisë nuk do të kishte qëndruar më këmbë as dhe për një orë, po të mos ishte prej dashurisë besnike që nuk do të lejojë t’i merren këmbët.
“Mes njëmijë kurthesh qëndroj më këmbë
prej dorës Tënde i mbështetur dhe i ruajtur;
Ajo dorë e padukshme do më mbajë akoma
Dhe do më shpjerë në malin Tënd të shenjtë.”
11 nëntor (Njerëzit e lirë të Zotit)
“Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.”
{#Romakëve 6:14}
Sa herë që të ketë mundësinë, mëkati do të dojë të mbretërojë; ai nuk mund të kënaqet me ndonjë vend poshtë fronit të zemrës. Ne ndonjëherë kemi frikë se do të na zotërojë dhe atëherë i klithim Zotit, “mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.” Kjo është përgjigja e Tij ngushëlluese, “mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, ai mund t’ju sulmojë dhe madje mund t’ju plagosë, por ama ai nuk do të vendosë kurrë sovranitetin mbi ju.” Sikur të ishim nën ligj, mëkati ynë do të mblidhte fuqi dhe do na të mbante nën pushtetin e tij, sepse është prej dënimit të mëkatit që një njeri hyn nën pushtetin e mëkatit.
Përderisa ne jemi nën besëlidhjen e hirit, jemi të siguruar ndaj largimit prej Perëndisë të gjallë me anë të deklaratës së besëlidhjes. Hiri na është premtuar, me anë të cilit mëkëmbemi prej hallakatjeve tona, pastrohemi prej papastërtive tona dhe lirohemi prej zinxhirëve të zakonit. Ne, me vend do të shtriheshim në dëshpërim dhe do të ishim “të kënaqur t’i shërbenim egjiptasve” sikur të ishim akoma skllevër duke punuar për të fituar jetën e përjetshme, por përderisa jemi njerëzit e lirë të Zotit ne marrim kurajë të luftojmë me korruptimet dhe tundimet tona duke qenë të sigurtë se mëkati nuk do të na sjellë më kurrë nën pushtetin e tij. Perëndia vetë na jep fitoren përmes Zotit tonë Jezu Krisht, të Cilit i përket lavdia përjetë e përjetë. Amen.
12 nëntor (Shpirtrat e shenjtëruar janë të kënaqur)
“Populli Im do të mbushet me të mirat e Mia”, thotë Zoti.”
{#Jeremia 31:14}
Vini re fjalën “Im” që shfaqet dy herë: “Populli Im do të mbushet me të mirat e Mia.” Ata njerëz që janë të kënaqur me Perëndinë janë të shënuar si njerëzit e Perëndisë. Ai është i kënaqur me ta, sepse ata janë të kënaqur me Të. Ata e quajnë Atë Perëndinë e tyre dhe Ai i quan populli i Tij; Ai është i kënaqur t’i trajtojë si risku i Tij dhe ata janë të kënaqur me Të për riskun e tyre. Ka shoqërim të përbashkët ëndjeje mes Izraelit të Perëndisë dhe Perëndisë të Izraelit. Këto njerëz janë të kënaqur. Kjo është një gjë e madhe. Shumë pak prej bijve të njerëzve janë me të vërtetë të kënaqur, cilido qoftë risku i tyre; ata kanë gëlltitur shushunjën e madhe që thërret vazhdimisht, “akoma! akoma!” Vetëm shpirtrat e shenjtëruar janë shpirtra të kënaqur. Perëndia vetë duhet të na kthejë në besim dhe të na kënaqë.
Nuk është për t’u habitur se njerëzit e Zotit kënaqen me mirësinë e Zotit të tyre. Këtu ka mirësi pa përzierje, dashamirësi pa kufi, mëshirë pa ankim, dashuri pa ndryshim, favor pa rezervë. Nëse mirësia e Perëndisë nuk na kënaq, atëherë çfarë do të na kënaqte? Çfarë! A jemi akoma duke rënkuar? Me siguri që ka një dëshirë të gabuar përbrenda, nëse është një dëshirë që mirësia e Zotit nuk kënaq. Zot jam i kënaqur. Bekuar qoftë emri Yt.
13 nëntor (Rojtari i palodhur)
“Ja, Ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.”
{#Psalmi 121:4}
Jehovai është “Mbrojtësi i Izraelit.” Asnjë formë pavetëdije nuk përvidhet ndonjëherë te Ai, as shenja më e vogël e dremitjes ose e gjumit. Ai kurrë nuk dështon të ruajë shtëpinë dhe zemrën e njerëzve të Tij. Kjo është një arsye e mjaftueshme për prehjen tonë në paqe të përkryer. Aleksandri i Madh tha se ai ra të flejë ngaqë shoku i tij Parmenio po ruante; aq më tepër ne mund të flemë, ngaqë Perëndia ynë është rojtari ynë. Fjala “ja” është e vendosur këtu për të tërhequr vëmendjen tonë te e vërteta e gëzueshme. Izraeli ra në gjumë, duke patur një gur për jastëk, por Perëndia i Tij ishte zgjuar dhe erdhi në vizion te shërbëtori i Tij. Kur ne shtrihemi pambrojtje, Jehovai vetë do të na mbrojë.
Zoti ruan njerëzit e Tij ashtu si një pasanik ruan thesarin e tij, ashtu si një kapiten ruan një qytet me një garnizon, ashtu si një roje ruan sovranin e tij. Asgjë nuk mund të dëmtojë ata që ruhen kështu. Le ta vendos shpirtin tim në duart e Tij të shtrenjta. Ai nuk na harron kurrë, nuk resht kurrë të kujdeset aktivisht për ne, nuk i duket vetja kurrë i paaftë të na ruajë. O Zoti im, më ruaj, me qëllim që të mos hallakatem, të bie dhe të humbas. Më ruaj, që të mund të ruaj urdhërimet e Tua. Me anë të përkujdesjes Tënde të palodhshme, parandalo të përgjumem si një i plogësht dhe të humbas si ata që flenë në gjumin e vdekjes.
14 nëntor (Emri që duhet përdorur)
“Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin Tim, Unë do ta bëj.”
{#Gjoni 14:14}
Çfarë premtimi i gjerë! Diçka! Qofshin të mëdha ose të vogla, të gjitha nevojat e mia janë të mbuluara nga ajo fjalë “diçka.” Eja shpirti im, ji i lirë në fronin e mëshirës dhe dëgjo Zotin tënd duke të thënë, “hap gojën tënde dhe Unë do të ta mbush.” Çfarë premtimi i urtë! Ne duhet të kërkojmë përherë në emër të Jezusit. Ndërsa kjo na jep zemër, e nderon Atë gjithashtu. Kjo është një mbrojtje e vazhdueshme. Ndonjëherë çdo argument tjetër i marrë në mbrojtje errësohet, veçanërisht si ai që do të mund të nxirrnim prej vetë marrëdhënies tonë me Perëndinë ose prej përjetimit të hirit të Tij, por në periudha të tilla emri i Jezusit është po aq i fuqishëm në fron sa përherë dhe ne mund ta marrin në mbrojtje me siguri të plotë.
Çfarë lutje mësimdhënëse! Nuk mund të kërkoj diçka ku nuk mund të vendos dorën dhe vulën e Krishtit. Nuk guxoj të përdor emrin e Zotit tim për një peticion egoist ose kryeneç. Mund ta përdor emrin e Zotit tim vetëm për lutjet që vetë Ai do të bënte po të gjendej në rastin tim. Është një privilegj i madh të jesh i autorizuar të kërkosh në emër të Jezusit sikur vetë Jezusi të kërkonte, por dashuria jonë për Të nuk do të na lejojë kurrë ta vendosim atë emër atje ku Ai nuk do ta kishte vendosur. A jam duke kërkuar për atë që Jezusi aprovon? A guxoj të vë vulën e Tij në lutjet e mia? Atëherë kam atë që i kërkoj Atit.
15 nëntor (Pasuri të pakufizuara)
“Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së Tij në lavdi, në Jezu Krisht.”
{#Filipianët 4:19}
Perëndia i Palit është Perëndia ynë dhe do të plotësojë nevojat tona. Pali u ndje i sigurtë për këtë në lidhje me filipianët dhe edhe ne ndjehemi të sigurtë në lidhje me veten tonë. Perëndia do ta kryejë, sepse kjo është natyra e Tij; Ai na do, Ai ka ëndje të na bekojë dhe ndërsa bën kështu Ai do të përlëvdohet. Mëshira, pushteti, dashuria, besnikëria e Tij të gjitha bashkëveprojnë që ne të mos vdesim urie. E çfarë mase zbaton Zoti? “sipas pasurisë së Tij në lavdi, në Jezu Krisht”. Pasuritë e hirit të Tij janë të mëdha, por çfarë do të thoshim për pasuritë e lavdisë së Tij? Kush do të mund të vlerësonte “pasurinë e Tij në lavdi, në Jezu Krisht?” Sipas kësaj mase të pamasë Perëndia do të mbushë honin e stërmadh të nevojave tona. Ai e bën Zotin Jezus enën dhe kanalin e plotësisë së Tij dhe më pas Ai na përcjell pasurinë e Tij të dashurisë në formën e saj më të lartë. Alelujah!
Shkruesi i këtij libërthi e di se çfarë është të sprovohesh në veprën e Zotit. Besnikëria ka qenë e shpërblyer me zemërim dhe bamirësit janë tërhequr, ndërkohë ai që ata janë përpjekur të shtypin nuk ka qenë as dhe një qindarkë më pak i varfër, jo, përkundrazi, ai është pasuruar akoma më shumë, sepse ky premtim ka qenë i vërtetë, “Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja.” Furnizimet e Perëndisë janë më të sigurta se Banka e Anglisë.
16 nëntor (Armët do të dështojnë)
“Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses,dhe çdo gjuhë që do të ngrihet të gjykojë kundër teje,ti do ta dënosh.”
{Isaia 54:17}
Ka cakëllim të madh në kovaçhanën e armikut. Ata janë duke bërë armë për të goditur shenjtorët. Ata as këtë nuk do të mund ta bënin dot nëse Zoti i shenjtorëve nuk do t’i lejonte, sepse është Ai që ka krijuar kovaçin që i fryn qymyrit në zjarr. Pa shikoni se sa të zënë që janë me punën! Sa shumë shpata dhe heshta që prodhojnë! Nuk ka rëndësi, sepse në tehun e çdo arme do të mund të lexoni këtë nënshkrim: nuk do të ketë sukses.
Por tani dëgjoni një tjetër zhurmë; është grindja e gjuhëve. Gjuhët janë instrumente shumë më të tmerrshme se sa ç’mund të bëhen me çekiçë dhe kudhër dhe e liga që ato shkaktojnë pret më thellë akoma dhe përhapet më gjerë. Si do të bëhet me ne vallë? Shpifja, gënjeshtra, spicat, tallja—këto janë shigjeta të helmuara; si mund t’i bëjmë ballë? Zoti Perëndi na premton se, nëse ne nuk mund t’i bëjmë dot që të heshtin, të paktën, do të shpëtojmë prej shkatërrimit që vjen prej tyre. Ata na dënojnë tani, por së fundi ne do t’i dënojmë dhe një herë e përgjithmonë. Goja e atyre që flasin gënjeshtra do të mbyllet dhe gënjeshtrat e tyre do të kthehen në nder të njerëzve të mirë që vuajtën prej tyre.
17 nëntor (Zoti nuk braktis kurrë)
“Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e Tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e Tij.”
{Psalmi 94:14}
Jo, Ai madje nuk do të hedhë as edhe një prej tyre. Njeriu flak tutje, por Perëndia nuk flak asnjë, sepse zgjedhja e Tij është e pandryshueshme dhe dashuria e Tij është e përjetshme. Askush nuk mund të gjejë edhe një njeri të vetëm që Perëndia e ka braktisur mbasi në mënyrë shpëtimtare i ka zbuluar Veten. Kjo e vërtetë e madhe është e përmendur në këtë psalm për të gëzuar zemrën e të pikëlluarit. Zoti ndreq të tijët, por Ai kurrë nuk i braktis. Rezultati i veprës së dyfishtë të ligjit dhe fshikullës është mësimi ynë dhe fryti i këtij mësimi është një qetësim fryme dhe një maturi mendjeje prej së cilave vjen prehje.
Të papërshpirtshmit lihen vetëm derisa gërmohet gropa ku do të bien dhe do të zihen, por të përshpirtshmit dërgohen në shkollë për t’u përgatitur për fatin e tyre të lavdishëm më pas. Gjykimi do të kthehet dhe do të mbarojë punën e tij ndaj rebelëve, por do të kthehet gjithashtu për të hakmarrë të sinqertin dhe të përshpirtshmin. Prandaj ne mund ta durojmë fshikullin e ndreqjes me nënshtrim të qetë; nuk do të thotë zemërim, por dashuri.
“Perëndia mund të ndreqë e korrigjojë
Por nuk mund kurrë të na harrojë
Ai në besnikëri mund të qortojë
Por nuk mund të reshtë kurrë të dojë.”
18 nëntor (Diçka dallueshëm e mbinatyrshme)
“Atë ditë Zoti do t’i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi,dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre.”
{Zakaria 12:8}
Një prej metodave më të mira të mbrojtjes prej Zotit të njerëzve të Tij është t’i bëjë të fortë me fuqi të brendshme. Njerëzit janë më të fortë se muret dhe besimi është më i fortë se kështjellat. Zoti mund të marrë më të dobëtin mes nesh për ta bërë ashtu si Davidi, kampionin e Izraelit. Zot, bëje këtë me mua! Përço fuqinë Tënde përbrenda meje dhe më mbush me kurajë të shenjtë që të mund të përballoj gjigantin me hobe dhe gurë, besimplotë në Perëndi.
Zoti mund të bëjë kampionët e Tij më të mëdhenj shumë më të fuqishëm se ç’janë; Davidi mund të jetë si Perëndia, ashtu si Engjëlli i Jehovait. Ky do të ishte një zhvillim i mrekullueshëm,por ama është i mundur përndryshe nuk do të flitej për të. O Zot, vepro kështu me më të mirin e udhëheqësve tanë! Na trego se çfarë je i aftë të bësh—domethënë, të ngresh shërbëtorët e tu besnikë në një lartësi hiri që do të jetë dallueshëm e mbinatyrshme!
Zot, bano në shenjtorët e Tu dhe ata do të jenë si Perëndia; vendos fuqinë Tënde përbrenda tyre dhe ata do të jenë si krijesat e gjalla që banojnë në praninë e Jehovait. Përmbushja këtë premtim gjithë kishës Tënde në këtë ditë tonën, për hir të Jezusit. Amen.
19 nëntor (Prej bindjes te bekimi)
“Që nga kjo ditë e tutje, Unë do t’ju bekoj.”
{Hagai 2:19}
Gjërat e ardhshme na janë fshehur. Prapëseprapë këtu ka një pasqyrë ku mund të shikojmë vitet që nuk kanë dalë në dritë akoma. Zoti thotë, “Që nga kjo ditë e tutje,Unë do t’ju bekoj.” Ia vlen të vëresh ditën për të cilën bëhet fjalë në këtë premtim. Ka pasur humbje të korrash, shkatërrim, vrug dhe këto për shkak të mëkatit të popullit. Tani, Zoti i pa këta njerëz të ndrequr duke filluar t’i binden fjalës së Tij dhe të ndërtojnë tempullin e Tij dhe prandaj Ai thotë, “mendohuni mirë që sot e tutje, nga dita kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit. Që nga kjo ditë e tutje, Unë do t’ju bekoj.”
Nëse kemi jetuar në ndonjë mëkat dhe Fryma na shpie të pastrohemi prej tij, atëherë mund të presim me besim bekimin e Zotit. Buzëqeshja e Tij, Fryma e Tij, hiri i Tij, zbulimi më i plotë i së vërtetës së Tij do të jenë për ne një bekim me bollëk. Ne mund të biem në kundërshtim më të madh akoma me njerëzit për shkak të besnikërisë sonë, por do të ngrihemi në marrëdhënie më të afërt me Zotin Perëndinë tonë dhe me një pamje më të qartë të pranimit tonë në Të. Zot, jam i vendosur të jem më i vërtetë me Ty dhe më këmbëngulës në ndjekjen e doktrinave dhe parimeve të Tua; dhe prandaj të lutem, me anë të Krishtit Jezus, të rritësh bekimin e jetës sime të përditshme që tani e tutje e përherë.
20 nëntor (Shpirt i ngopur)
“Sepse Ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.”
{Psalmi 107:9}
Është mirë të kesh dëshira të forta dhe aq më të forta aq më mirë. Zoti do të kënaqë dëshirat e zjarrta të shpirtit sado të mëdha dhe rrëmbyese qofshin. Le të dëshirojmë fort sepse Perëndia do të japë shumë. Nuk jemi kurrë në një gjendje të drejtë mendjeje kur jemi të kënaqur me veten tonë dhe nuk kemi dëshira të forta. Dëshira për më shumë hir dhe rënkimet që nuk mund të shprehen janë dhembje rritjeje dhe ne duhet të dëshirojmë t’i ndjejmë ato më shumë e më shumë akoma. Frymë e Bekuar, na bëj të psherëtijmë dhe të klithim për gjëra më të mira dhe për më shumë prej gjërave të mira!
Uria nuk është asnjëherë një ndijim i këndshëm. Prapëseprapë lum ata që kanë uri dhe kanë etje për drejtësi. Njerëz të tillë jo vetëm që do ta kenë urinë e fashitur me pak ushqim, por do të ngopen. Ata nuk do të ngopen me ndonjë gjë të rëndë, por dieta e tyre do t’i shkojë për shtat Zotit të mirë të tyre, sepse do të ngopen me mirësi prej vetë Jehovait.
Kështu pra, mos të merakosemi ngaqë dëshirojmë me zjarr dhe kemi uri, por le të dëgjojmë zërin e Psalmistit teksa edhe ai gjithashtu dëshiron me zjarr dhe ka uri për ta parë Perëndinë të madhëruar. “Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e Tij dhe për mrekullitë e Tij në dobi të bijve të njerëzve.”
21 nëntor (Shikimi i jashtëm dhe i drejtuar lart)
“Kthehuni nga Unë (shikoni te Unë) dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.”
{Isaia 45:22}
Ky është premtimi i premtimeve. Ai qëndron në themelin e jetës sonë shpirtërore. Shpëtimi vjen nëpërmjet një shikimi te Ai që është “një Perëndi dhe një Shpëtimtar i drejtë.” Sa i thjeshtë është drejtimi! “Shikoni te Unë.” Sa e arsyeshme që është kërkesa! Me siguri që krijesa duhet të shikojë te Krijuesi. Mjaft kemi parë gjetkë, është koha që të shikojmë vetëm te Ai që na fton të presim nga Ai dhe na premton të na japë shpëtimin e Tij.
Vetëm një shikim! A nuk do të shikojmë vallë menjëherë? Ne nuk kemi për të sjellë asgjë prej vetes, por kemi për të parë jashtë dhe lart te Zoti ynë mbi fron, ku është ngjitur prej kryqit. Një shikim nuk kërkon ndonjë përgatitje, ndonjë përpjekje të madhe; nuk ka nevojë as për zgjuarsi as për urtësi, pasuri ose forcë. Gjithçka që kemi nevojë gjendet në Zotin Perëndinë tonë dhe nëse shikojmë te Ai për çdo gjë, çdo gjë do të jetë e jona dhe do të shpëtohemi.
Ejani, ju të përhumbur, shikoni këtu! Ju skaje të tokës, ktheni sytë tuaj nga ky drejtim! Ashtu si prej vendeve më të largëta njerëzit mund të shikojnë diellin dhe të gëzojnë dritën e tij, po ashtu ju që shtriheni në kufijtë e vdekjes mu në portat e ferrit me anë të një shikimi mund të merrni dritën e Perëndisë, jetën e parajsës shpëtimin e Zotit Jezus, që është Perëndi dhe prandaj mund të shpëtojë.
22 nëntor (Nuk ka dënim)
“Në ato ditë, në atë kohë,” thotë Zoti, “do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse Unë do t’i fal ata që do të lë të gjallë.”
{Jeremia 50:20}
Me të vërtetë një fjalë e lavdishme! Çfarë falje e përkryer i është premtuar këtu kombeve mëkatare të Izraelit dhe Judës! Mëkati ka për t’u hequr në mënyrë të tillë sa nuk do të gjendet më, aq i fshirë sa nuk do të ketë fare. Lavdi i qoftë Perëndisë të faljeve!
Satani kërkon mëkate me të cilët të na akuzojë, armiqtë tanë i kërkojnë ato që të mund të na i vënë në llogarinë tonë dhe vetë ndërgjegjja jonë i kërkon ato madje edhe me një zell të sëmurë. Mirëpo kur Zoti vë përsipër gjakun e çmuar të Jezusit, ne nuk druajmë asnjë formë këqyrje, sepse paudhësi “nuk do të ketë fare” mëkatet “nuk do të gjenden.” Zoti i ka bërë mëkatet e popullit të Tij që të reshtin; Ai i ka dhënë fund shkeljes dhe mëkatit. Flijimi i Jezusit i ka hedhur mëkatet tona në fund të detit.
Arsyeja për fshirjen e mëkatit qëndron në faktin se vetë Jehovai fal të zgjedhurit e Tij. Fjala e Tij e hirit nuk është vetëm mbretërore, por edhe hyjnore. Ai urdhëron shlyerjen dhe ne shlyhemi. Ai zbaton shfajësimin dhe prej këtij çasti njerëzit e Tij janë përtej çdo frike dënimi. I bekuar qoftë emri i Perëndisë mëkat-asgjësues!
23 nëntor (Këmbëngulje fitimtare)
“Zoti, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje.”
{Ligji i përtërirë 7:22}
Ne nuk duhet që të presim fitore për Zotin Jezus me anë të një goditje të vetme. Parimet dhe praktikat e liga kanë shtatë shpirtra. Në disa vende duhen vite mund për të shkulur edhe një prej shume veseve që fëlliqin banorët. Ne duhet të vazhdojmë luftën me gjithë fuqinë tonë, edhe kur të favorizuar me pak sukses të dukshëm.
Puna jonë në këtë botë është ta fitojmë atë për Jezusin. Nuk kemi për të bërë kompromise por kemi për të zhdukur të ligat. Nuk kemi për të kërkuar popullaritet, por t’i bëjmë luftë të pandërprerë paudhësisë. Pabesia, papizmi, pija, papastërtia, shtypja, gjërat e botës, gabimi—këto duhen “dëbuar.”
Vetëm Zoti Perëndia ynë mund ta përmbushë këtë. Ai punon me anë të shërbëtorëve të Tij besnikë; dhe bekuar qoftë emri i Tij, Ai premton se do të punojë në atë mënyrë. “Jehovai, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje.” Këtë Ai do ta kryejë shkallë shkallë, që ne të mund të mësojmë këmbënguljen, të mund të rritemi në besim, të mund të jemi vigjilent me zell dhe të mund të shmangim sigurinë mishore. Le ta falënderojmë Perëndinë për një sukses të vogël dhe të lutemi për më shumë. Le të mos shtiem kurrë në mill shpatën derisa i gjithë vendi të fitohet për Jezusin. Kurajo, zemra ime! Vazhdo pak nga pak, sepse gur gur bëhet kala.
24 nëntor (Falje dhe zemërbutësi)
“Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.”
{Psalmi 103:9}
Ndonjëherë Ai do të ndreqë, ose përndryshe nuk do të ishte një at i urtë për të tillë fëmijë të hallakatur ashtu siç jemi ne. Ndreqja e Tij është shumë e dhembshme për ata që janë të vërtetë, sepse e ndjejnë se sa trishtueshëm e meritojnë dhe sa gabim që bëjnë ta pikëllojnë Atë. Ne e dimë se çfarë do të thotë ndreqja e Tij dhe përkulemi përpara Zotit, duke vajtuar se kemi provokuar zemërimin e Tij ndaj nesh.
Mirëpo çfarë ngushëllimi që gjejmë në këto rreshta! Ai nuk do të ndreqë “gjithnjë.” Nëse pendohemi dhe prej mëkatit kthehemi te Ai me zemra të thyera nga mëkati, Ai do të na buzëqeshë menjëherë. Nuk është kënaqësi për Të të kthejë një fytyrë të vrenjtur drejt atyre që Ai i do me gjithë zemrën e Tij; është gëzimi i Tij që gëzimi jonë të jetë i plotë.
Ejani, le të kërkojmë fytyrën e Tij. Nuk ka arsye për dëshpërim, as për zemërlëshim. Le të duam një Perëndi ndreqës dhe nuk do të vonojmë të këndojmë: “Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi Yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.” Shporruni ju parandjenja të këqija, ju korba të shpirtit!
Ejani ju shpresa të përulura dhe kujtime mirënjohëse, ju pëllumba zemre! Ai që na fali kohë më parë si gjykatës, do të na falë përsëri si një at dhe ne do të gëzohemi në dashurinë e Tij të ëmbël të pandryshueshme.
25 nëntor (Malet e kthyera në fushë)
“Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: “Mëshirë, mëshirë për të!”
{Zakaria 4:7}
Në këtë çast, një mal vështirësie, pikëllimi ose nevojshmërie mund të shfaqet në shtegun tonë dhe arsyeja e natyrshme nuk shikon asgjëkund ndonjë rrugëdalje. Le të afrohet besimi dhe menjëherë mali zhduket dhe bëhet i sheshtë. Mirëpo së pari besimi duhet të dëgjojë fjalën e Zotit—“Jo me fuqinë dhe as me forcën, por me Frymën time”, thotë Zoti i ushtrive.” Kjo e vërtetë e madhe është një nevojshmëri parësore për t’i bërë ballë sprovave të pakapërcyeshme të jetës.
Shikoj se nuk mund të bëj asgjë dhe se çdo mbështetje në njeriun është kotësi. “Jo me fuqinë.” Shikoj se nuk mund të mbështetem në asnjë mjet të dukshëm, por se forca është në Frymën e padukshme. Perëndia vetëm duhet të punojë dhe njerëzit dhe mjetet nuk duhen llogaritur. Nëse është kështu, se Perëndia i plotfuqishëm merr përsipër shqetësimet e njerëzve të Tij, atëherë malet e mëdha janë hiç gjë. Ai mund të heqë tutje botë të tëra po ashtu si fëmijët lozin me një top. Këtë fuqi Ai mund të ma japë mua. Nëse Zoti më urdhëron të lëviz Alpet mund ta bëj nëpërmjet emrit të Tij. Mund të jetë një mal i madh, por madje edhe përpara dobësisë sime mali do të bëhet një fushë, sepse kështu ka thënë Zoti. Nga se mund të kem frikë duke pasur Perëndinë në krahun tim?
26 nëntor (Alkimi hyjnore)
“Pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.”
{Gjoni 16:20}
Pikëllimi i tyre i veçantë ishte vdekja dhe mungesa e Zotit të tyre dhe ai u kthye në gëzim kur Ai u ringjall dhe e shfaqi veten e Tij në mesin e tyre. Të gjithë pikëllimet e shenjtorëve po ashtu do të shndërrohen; madje edhe më i keqi prej atyre që mund të duken se do të mbesin përherë burime hidhërimi. Atëherë aq më shumë pikëllim aq më shumë gëzim. Nëse kemi ngarkesa pikëllimi, atëherë fuqia e Zotit do t’i kthejë ato në tone gëzimi. Atëherë sa më e hidhur trazira aq më e ëmbël kënaqësia; luhatja e lavjerrësit në njërin skaj do ta bëjë që të shkojë deri në skajin tjetër. Kujtimi i brengës do të rrisë aromën e kënaqësisë; do t’i vëmë në kontrast me njëri tjetrin dhe shkëlqimi i diamantit do të shihet akoma më qartë për shkak të letrës së zezë mbrapa tij.
Eja, zemra im, gëzohu! Edhe pak do të jem po aq i gëzuar sa jam tani i zymtë. Jezusi më thotë se me anë të një alkimie qiellore pikëllimi im do të kthehet në gëzim. Nuk e di se si do të kryhet, por e besoj dhe filloj të këndoj pa u plotësuar akoma. Ky depresion fryme nuk do të zgjasë; së shpejti do të jem mes të lumturve që lavdërojnë Zotin ditë e natë dhe atje do t’i këndoj mëshirës që më çliroi prej pikëllimeve të mëdha.
27 nëntor (Prehje)
“Prania ime do të shkojë me ty, dhe Unë do të të jap pushim (prehje).”
{Eksodi 33:14}
Premtim i çmuar! Zot, më mundëso që ta përvetësoj atë si i imi i gjithë. Duhet që të largohemi në disa periudha të caktuara prej banesës tonë, sepse këtu nuk kemi vend të përhershëm. Ndodh shpesh se kur ndjehemi si në shtëpinë tonë në një vend, papritur thirremi larg prej tij. Këtu është kundërhelmi për këtë të keqe. Vetë Zoti do të na shoqërojë. Prania e Tij që përfshin favorin, shoqërimin, përkujdesjen dhe fuqinë e Tij do të jenë përherë me ne në secilin prej hapave tona. Kjo do të thotë shumë më tepër se çfarë shpreh; sepse, në fakt, do të thotë të gjitha gjërat. Nëse ne kemi Perëndinë të pranishëm me ne, atëherë kemi zotërimin e qiellit dhe tokës. Shko me mua Perëndi dhe atëherë më urdhëro që të shkoj atje ku Ti do! Por ne shpresojmë të gjejmë një vend prehjeje. Teksti e premton. Ne kemi për të pasur prehje që vetë Perëndia do ta japë, do ta bëjë dhe do ta ruajë.
Prania e Tij do të na bëjë të prehemi edhe atëherë kur jemi në marshim, po, madje edhe në mes të betejës. Prehje! Fjalë tri herë e bekuar. A mund të gëzohet me të vërtetë prej të vdekshmëve? Po, kemi premtimin dhe me anë të besimit ne e marrim në mbrojtje atë. Prehja vjen prej Ngushëlluesit, prej Princit të Paqes dhe prej Atit të lavdishëm që u çlodh në ditën e shtatë prej të gjitha veprave të Tij. Të jesh me Perëndinë do të thotë të prehesh në kuptimin më të theksuar të fjalës.
28 nëntor (Bekim në atë çfarë bëjmë)
“Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambarët e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë.”
{Ligji i përtërirë 28:8}
Nëse i bindemi Zotit Perëndisë sonë Ai do të bekojë atë që na jep. Pasuritë nuk janë mallkim kur janë të bekuara prej Zotit. Kur njerëzit kanë më shumë se ç’është e nevojshme dhe fillojnë që të mbushin hambarët, ndryshku i lakmisë ose vrugu i zemërngurtësisë kanë prirje që të ndjekin grumbullimin e pasurive, por nuk është ashtu me bekimin e Perëndisë. Kujdesi rregullon kursimin, bujaria drejton shpenzimin, mirënjohja mban përkushtimin dhe lëvdimi ëmbëlson gëzimin. Është mëshirë e madhe të kesh bekimin e Perëndisë në llogarinë bankare.
Çfarë favori që na përket neve me anë të fjalisë së fundit! “Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë.” Ne nuk do ta vëmë dorën tonë mbi ndonjë gjë për të cilën nuk guxojmë të kërkojmë bekimin e Perëndisë dhe as nuk do ta bënim pa lutje dhe besim.
Mirëpo çfarë privilegji të jesh i aftë të kërkosh ndihmën e Perëndisë në çdo ndërmarrje! Disa flasin për njerëz me fat; bekimi i Zotit është më mirë se fati. Patronazhi i të mëdhenjve nuk është asgjë në krahasim me favorin e Perëndisë. Mosvarësia nga të tjerët është shumë mirë, por bekimi i Zotit është shumë më tepër se të gjitha frytet e talentit, gjenisë ose shkathtësisë.
29 nëntor (Mëso se si të presësh)
“Ai që i beson Atij nuk do të ngutet.”
{Isaia 28:16}
Ai do të ngutet të ruajë urdhërimet e Zotit, por nuk do të ngutet në kuptimin e padurimit ose papjekurisë. Ai nuk do të ngutet të largohet me të katra sepse nuk do të mposhtet me frikën që shkakton panik. Kur të tjerët janë duke ia mbathur sa andej këndej sikur të kishin humbur arsyen, besimtari do të jetë i qetë, i shtruar dhe i matur dhe kështu që do të jetë i aftë të veprojë me urtësi në orën e sprovës. Ai nuk do të ngutet në pritjet e tij, duke dëshiruar me zjarr gjërat e tij të mira menjëherë dhe në vend, por ai do të presë kohën e Perëndisë. Disa janë në nxitim të dëshpëruar për të pasur rezultatin e premtimit shpejt e shpejt, sepse ato e shikojnë premtimin e Zotit si një premtim që ndoshta nuk është i tyre. Besimtarët dinë si të presin.
Ai nuk do të ngutet duke u zhytur në veprim të gabuar ose të dyshimtë. Mosbesimi duhet që të bëjë medoemos diçka dhe kështu vepron shkatërrimin, por besimi nuk ngutet më shumë se sa shpejtësia e duhur dhe kështu nuk është i shtrënguar të kthehet mbrapa nëpërmjet rrugës që ndoqi pa kujdes. Si është me mua? A jam duke besuar dhe jam kështu duke ecur me hapin e besimtarit, që do të thotë të ecësh me Perëndinë? Ji në paqe, frymë e ethshme! Oh, prehu në Zotin dhe prite me durim! Zemër, ki kujdes që ta bësh këtë menjëherë!
30 nëntor (Perëndia është pararojë)
“Zoti vetë ecën para teje; Ai do të jetë me ty;nuk do të të lërë dhe s’ka për të të braktisur, mos u tremb dhe mos u tmerro.”
{Ligji i përtërirë 31:8}
Në prani të një vepre të madhe ose një beteje të madhe, këtu ka një tekst që duhet të na ndihmojë të ngjeshim pajimet. Nëse Vetë Jehovai shkon para nesh, atëherë pa dyshim që është gjë e sigurtë ta ndjekësh. Kush mund ta ndalojë përparimin tonë nëse Vetë Zoti është përpara nesh? Ejani, bashkëushtarë, le të bëjmë një përparim të menjëhershëm! Pse dyshojmë të hidhemi drejt fitores?
Jo vetëm që Zoti është përpara nesh, Ai është me ne. Sipër, poshtë, përreth, përbrenda është Zoti i plotfuqishëm, i kudopranishëm. Në çdo kohë, madje në përjetësi, Ai do të jetë me ne ashtu siç ka qenë më përpara. Sa duhet të forcojë krahun tonë ky mendim! Suluni përpara me guxim, ju ushtarë të kryqit, sepse Zoti i ushtrive është me ne!
Duke qenë para nesh dhe me ne, Ai nuk do ta tërheqë kurrë ndihmën e Tij. Ai nuk mund të dështojë në vetvete dhe Ai nuk do të dështojë ndaj nesh. Ai do të vazhdojë të ndihmojë sipas nevojës sonë, deri në fund. Përderisa Ai nuk mund të na lërë, po ashtu Ai nuk do të na braktisë. Ai do të jetë gjithmonë i aftë dhe i vullnetshëm të na japë forcë dhe ndihmë derisa ditët e luftimit të kalojnë. Le të mos druajmë as le të mos lëshohemi në zemër, sepse Zoti i ushtrive do të zbresë poshtë në betejë me ne, do të mbajë barrën e luftimit dhe do të na japë fitoren.