1 prill (Udha e mbretit)
“Edhe mendjeshkurtrit nuk do të mund të humbasin.”
{#Isaia 35:8}
Udha e shenjtërisë është kaq e drejtë dhe kaq e qartë sa mendjet më të thjeshta nuk mund ta humbasin dot rrugën nëse e ndjekin atë vazhdimisht. Të urtët sipas botës kanë shumë dredha dhe kthesa dhe prapëseprapë ata bëjnë gabime të tmerrshme dhe në përgjithësi nuk e arrijnë qëllimin e tyre. Sjellja sipas botës është një gjë dritëshkurtër e pavlerë dhe kur njerëzit e zgjedhin si rrugën e tyre, ajo i shpie ata mbi male të errët. Mendjet e hirshme nuk dinë më mirë se të bëjnë ashtu si Zoti i urdhëron, por kjo gjë i ruan ata në rrugën e mbretit dhe nën mbrojtje mbretërore.
Lexuesi le të mos përpiqet as dhe një çast ta ndihmojë veten të dalë nga një vështirësi me një gënjeshtër ose me një veprim të dyshimtë, por le të vazhdojë të qëndrojë në mes të rrugës të së vërtetës dhe integritetit dhe kështu ai do të jetë duke ndjekur drejtimin më të mirë të mundshëm. Në jetët tona ne nuk duhet kurrë të praktikojmë mashtrimin, as nuk duhet ta çojmë nëpër mend që ta dredhim. Jini të drejtë dhe mos kini frikë. Ndiqni Jezusin dhe mos prisni asnjë rrjedhojë të ligë. Nëse më e keqja e të ligave mund të mënjanohej duke bërë keq, atëherë, vetëm prej përpjekjes për ta kryer, keni rënë në një të ligë më të keqe se çdo e ligë tjetër. Rruga e Perëndisë me siguri që është rruga më e mirë. Ndiqe atë edhe pse njerëzit të marrin për një të çmendur dhe atëherë do të jesh me të vërtetë i mençur. Zot, shpjer shërbëtorët e tu në një udhë të drejtë për shkak të armiqve të tyre.
2 prill (Energji e vërtetë zemre)
“Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.”
{#1 Timoteu 4:15}
Ky është praktikisht një premtim që nëpërmjet përsiatjes së zellshme dhe kushtimit të gjithë mendjes sonë punës për Zotin, ne do të bëjmë një përparim që të gjithë do të mund ta shohin. Jo me lexim të nxituar, por me përsiatje të thellë ne kemi dobi prej Fjalës së Perëndisë. Jo duke bërë shumë punë në një mënyrë të shkapërderdhur, por duke ia dhënë mendimin tonë më të mirë asaj që provojmë të bëjmë, ne do të nxjerrim dobi të vërtetë. “Në çdo punë ka dobi,” por ama jo në rrëmujë dhe nxitim pa energji të vërtetë zemre. Nëse e ndajmë veten tonë mes Perëndisë dhe mamonit, ose Krishtit dhe vetes, nuk do të bëjmë përparim. Ne duhet t’ia kushtojmë gjithë veten tonë gjërave të shenjta, ose përndryshe do të jemi tregtarë të pazotë në biznesin qiellor dhe në fund nuk do të ketë dobi.
A jam një shërbenjës? Le të jem tërësisht një shërbenjës dhe mos t’i harxhoj energjitë e mia me shqetësime dytësore. E çfarë kam të bëj vallë me partitë politike ose dëfrimet e kota? A jam një i krishterë? Le ta bëj shërbimin për Jezusin kohëzënien time, punën time të një jete, punën time të vetme. Ne duhet të shkrihemi me Jezusin dhe më pas të jemi fund e krye për Jezusin ose përndryshe nuk do të bëjmë as përparim as nuk do të gjejmë dobi dhe as kisha ose bota nuk do të ndjejnë atë ndikim të fortë që Zoti do që ne të ushtrojmë.
3 prill (I ndjeshëm ndaj paralajmërimit)
“Sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij,që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova”, tha Zoti.”
{#2 Mbretërve 22:19}
Shumë njerëz përçmojnë paralajmërimin dhe vdesin. Lum ai që dridhet nga fjala e Zotit. Ashtu bëri Josia dhe atij iu kursye pamja e së keqes që Zoti vendosi të dërgojë mbi Judën për shkak të mëkateve të tij të mëdha. A e ke këtë butësi zemre? A praktikon këtë vetpërulje? Atëherë edhe ti do të kursehesh në ditën e keqe. Perëndia vë një shenjë mbi njerëzit që psherëtijnë dhe klithin për shkak të mëkatit të kohërave ku jetojnë.
Engjëlli shkatërrues ka marrë urdhër të mbajë shpatën në mill derisa të zgjedhurit e Perëndisë të jenë strehuar; këta njihen më mirë se gjithçka tjetër nga frika e tyre e përshpirtshme dhe nga dridhma prej fjalës së Zotit. A janë kohërat kërcënuese? A përparojnë papizmi dhe pabesia me hapa të mëdhenj dhe a i tutesh një qortimi kombëtar ndaj këtij kombi të fëlliqur? Epo me të drejtë. Prapëseprapë prehu në këtë premtim, “ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi.” Akoma më mirë, vetë Zoti mund të vijë dhe atëherë ditët e vajtimit tonë do të përfundojnë.
4 prill (Grerëzat e Perëndisë)
“Dhe do t’i dërgoj para teje grerëza,që do t’i përzënë Hivejtë, Kananejtë dhe Hitejtë para syve të tu.”
{#Eksodi 23:28}
Se si ishin grerëzat ne nuk kemi nevojë që ta marrim në konsideratë. Ato ishin ushtria e vetë Perëndisë e dërguar përpara popullit të Tij për të thumbuar armiqtë e tyre dhe për ta bërë të lehtë fitoren e Izraelit. Perëndia ynë nëpërmjet mjeteve të Tij të zgjedhura do të luftojë për njerëzit e Tij dhe do të lëndojë armiqtë e tyre përpara se ata të hyjnë në betejën e vërtetë. Shpesh Ai ngatërron kundërshtarët e të vërtetës nëpërmjet metodash ku vetë reformatorët nuk kanë dorë. Ajri është plot me ndikime që sfilitin armiqtë e Izraelit. Ne lexojmë te Zbulesa se “toka ndihmoi gruan.”
Le të mos kemi kurrë frikë. Yjet në orbitat e tyre luftojnë kundra armiqve të shpirtrave tanë. Shpesh kur ne marshojmë për në betejë nuk gjejmë armiq për të luftuar. “Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë.” Grerëzat e Perëndisë mund të bëjnë më shumë se armët tona. Ne nuk do të mund të kishim ëndërruar kurrë se fitorja do të fitohej nëpërmjet të tillash mjete të përdorura nga Jehovai. Ne duhet t’i bindemi urdhrave të marshimit dhe duhet të shkojmë përpara për zotërimin e kombeve për Jezusin dhe do të shohim se Zoti ka shkuar përpara nesh dhe ka përgatitur rrugën; kështu që në fund do të rrëfejmë me gëzim, “dora e Tij e djathtë dhe krahu i Tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.”
5 prill (Jo i harruar)
“Ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.”
{#Isaia 44:21}
Jehovai ynë nuk mund t’i harrojë shërbëtorët e Tij aq sa të reshtë t’i dojë. Ai nuk i zgjedh veç për një kohë, por përherë. Ai e dinte se çfarë do të ishin kur i thirri në familjen hyjnore. Ai fshin mëkatet e tyre si një re dhe mund të jemi të sigurtë se Ai nuk do t’i dëbojë jashtë prej paudhësive që Ai ka fshirë. Do të ishte blasfemi të merrje me mend një gjë të tillë. Ai nuk do t’i harrojë aq sa të reshtë të mendojë për ta. Një çast harrimi nga ana e Perëndisë do të ishte rrënimi ynë. Prandaj Ai thotë: “Nuk do të të harroj.”
Njerëzit na harrojnë; ata të cilëve i kemi bërë mirë kthehen kundra nesh; ne nuk kemi vendbanim në zemrat levarashe të njerëzve, por Perëndia nuk do të harrojë kurrë ndonjë prej shërbëtorëve të Tij të vërtetë. Ai e lidh Veten e Tij me ne jo me atë çfarë bëjmë për Të, por me atë çfarë Ai ka bërë për ne. Ne jemi dashur për një kohë tejet të gjatë dhe jemi blerë me një çmim tejet të madh për t’u harruar tani. Jezusi shikon përbrenda nesh mundin e shpirtit të Tij dhe këtë Ai nuk mund të harrojë kurrë. Ati shikon përbrenda nesh nusen e Birit të Tij dhe Perëndia Fryma e Shenjtë shikon në ne veprën e Tij të efektshme. Zoti mendon për ne. Këtë ditë ne do të ndihmohemi dhe do të mbështetemi. Oh, mos u harroftë kurrë Zoti prej nesh!
6 prill (Një Mbret, një Zot)
“Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i Tij.”
{#Zakaria 14:9}
Çfarë perspektivë e bekuar! Kjo nuk është ëndërr e ndonjë entuziasti, por deklarata e Fjalës së padështueshme. Jehovai do të njihet mes gjithë njerëzve dhe pushteti i Tij i hirshëm do të pranohet prej çdo kombi. Në këto kohë nuk është aspak kështu. Ku ka vallë ndonjë që përkulet përpara Mbretit të Madh? Sa shumë rebelim që ka! Sa shumë zotër dhe zotë ka mbi tokë! Edhe mes të ashtuquajturve të krishterë çfarë shumëllojshmëri idesh që ka për Të dhe ungjillin e Tij! Një ditë do të ketë një Mbret, një Jehovah dhe një emër për Perëndinë e Gjallë. O Zot, shpejtoje këtë!
Ne thërrasim përditë, ardhtë Mbretëria Jote. Ne nuk do të diskutojmë çështjen se kur do të ndodhë kjo, nga frika se mos humbim ngushëllimin e sigurisë se do të ndodhë. Po aq me siguri sa Fryma e Shenjtë foli nëpërmjet profetëve të Tij, po aq me siguri e gjithë toka do të mbushet me lavdinë e Zotit. Jezusi nuk vdiq më kot. Fryma e Perëndisë nuk punon më kot. Qëllimet e përjetshme të Atit nuk do të përmbysen. Këtu ku satanai triumfoi, Jezusi do të kurorëzohet dhe Zoti Perëndi i Plotfuqishëm do të mbretërojë. Të forcuar prej besimit, le të vazhdojmë punën dhe luftën tonë të përditshme.
7 prill (Pa frikë prej njerëzve)
“Kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje.”
{# Ligji i përtërirë 28 :10}
Atëherë nuk kemi arsye pse të kemi frikë prej tyre. Kjo do të tregonte një frymë dosido dhe do të ishte më shumë një shenjë mosbesimi se sa besimi. Zoti mund të na bëjë aq të ngjashëm me Të sa njerëzit do të shtrëngohen të shikojnë se me të drejtë e mbajmë emrin e Tij dhe se i përkasim me të vërtetë Jehovait të Shenjtë. Oh, marrshim këtë hir që Zoti po pret të japë! Jini të sigurtë se njerëzit e papërshpirtshëm kanë frikë prej shenjtorëve të vërtetë. Ata i urrejnë, por i kanë frikë gjithashtu. Hamani u drodh për shkak të Mordekait, madje edhe kur kërkoi shkatërrimin e këtij njeriu të drejtë.
Në fakt, urrejtja e tyre shpesh ngrihet për shkak të një tmerri që ata nga krenaria nuk guxojnë ta rrëfejnë. Le të ndjekim udhën e të vërtetës dhe drejtësisë pa edhe dridhjen më të vogël. Frika nuk është për ne, por për ata që bëjnë keq dhe luftojnë kundër Zotit të ushtrive. Nëse me të vërtetë jemi të thirrur me emrin e Perëndisë së përjetshëm, atëherë jemi të sigurtë, sepse, po ashtu si në të kaluarën, një qytetar romak mjaftonte të thoshte veçse, Romanus sum, jam një romak dhe kështu ai mund të pretendonte mbrojtjen prej të gjitha legjioneve të perandorisë së madhe, po ashtu çdo njeri që është një njeri i Perëndisë ka plotfuqishmëri ashtu si ruajtësi i Tij dhe Perëndia do të zbrazte më mirë qiellin prej engjëjve se sa të braktiste pa mbrojtje një shenjtor. Ji për të drejtën më trim se luani, sepse Perëndia është me ty.
8 prill (I ruajtur deri në fund të punës)
“Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për Mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”
{#Veprat 23:11}
A je dëshmitar për Zotin dhe a je pikërisht tani në rrezik? Atëherë kujto se je i pavdekshëm derisa puna jote të kryhet. Nëse Zoti ka më shumë dëshmi për të dhënë përmes teje, atëherë do të jetosh për ta dhënë atë. Kush është ai që mund të thyejë enën që Zoti synon ta përdorë përsëri? Nëse për ty nuk ka më punë për të bërë për Mjeshtrin tënd, nuk mund të trishtohesh nëse Ai është gati të të marrë nga kjo botë dhe të të vendosë atje ku do të jesh përtej arritjes së kundërshtarëve.
Dëshmia jote për Jezusin është shqetësimi yt kryesor dhe nuk mund të ndalohesh derisa të jetë kryer, prandaj ji në paqe. Shpifja mizore, shtrembërimi i lig i së vërtetës, braktisja prej miqve, tradhtia prej më të besuarit dhe çfarëdo gjë tjetër ardhtë, nuk mund të pengojë qëllimin e Zotit në lidhje me ty. Zoti qëndron pranë teje gjatë natës së pikëllimit tënd dhe Ai thotë, “duhet që të dëshmosh akoma për Mua.” Ji i qetë, ji i mbushur me gëzim në Zotin. Nëse nuk të nevojitet ky premtim pikërisht tani, mund të të hyjë në punë shumë shpejt. Ruaje si sytë e ballit. Kujto gjithashtu të lutesh për misionarët dhe të gjithë të përndjekurit që Zoti t’i ruajë deri në përfundimin e punës së tyre të një jete.
9 prill (Vendi suprem i biblës)
“Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin Tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.”
{#Psalmi 119:165}
Po, një dashuri e vërtetë për Librin e madh do të sjellë paqe të madhe prej Perëndisë së madh dhe do të jetë një mbrojtje e madhe për ne. Le të jetojmë vazhdimisht në shoqërinë e ligjit të Zotit dhe ai do të ushqejë në zemrat tona një prehje të plotë të tillë sa asgjë tjetër nuk mund të japë. Fryma e Shenjtë vepron si një Ngushëllues nëpërmjet Fjalës dhe përhap ato ndikimet e dashura që qetësojnë stuhitë e shpirtit. Asgjë nuk është një gur pengese për njeriun i cili ka Fjalën e Perëndisë që banon bollshëm në të.
Ai merr përsipër kryqin përditë dhe kjo bëhet një kënaqësi. Ai është i përgatitur për sprovën e zjarrtë dhe nuk befasohet prej saj aq sa të dekurajohet tërësisht. Ai nuk pengohet as prej mbrothësisë, ndryshe nga shumë të tjerë, as nuk shtypet prej kundërshtisë, ndryshe nga shumë të tjerë, sepse ai jeton mbi rrethanat ndryshuese të jetës. Kur Zoti i tij i vë përpara ndonjë mister të madh të besimit që i bën të tjerët të klithin, “kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?” besimtari e pranon pa mëdyshje, sepse vështirësitë e tij intelektuale mposhten prej frikës nderuese ndaj ligjit të Zotit, që është për të autoriteti suprem para të cilit ai përkulet gëzueshëm. Zot, vepro në ne këtë ditë, këtë dashuri, këtë paqe dhe këtë prehje.
10 prill (Shiko dhe jeto)
“Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar.”
{#Numrat 21:8}
Kjo është një shëmbëlltyrë e lavdishme e ungjillit. Jezusi i numëruar me shkelësit, varet përpara nesh mbi kryq. Një shikim te Ai, do të na shërojë prej kafshimit të gjarprit të mëkatit; do të na shërojë menjëherë—”çdo njeri që do ta shikojë, ka për të jetuar.” Lexuesi që po vajton për shkak të mëkatshmërisë së tij, le të vërejë fjalët—”çdo njeri që do ta shikojë, ka për të jetuar.” Çdo shikues do ta zbulojë këtë si të vërtetë. Kështu ka qenë me mua. Shikova te Jezusi dhe jetova menjëherë. E di se ashtu ndodhi me të vërtetë. Lexues, nëse shikon te Jezusi edhe ti gjithashtu do të jetosh.
E vërtetë, ti po fryhesh prej helmit dhe nuk shikon asnjë shpresë. Është e vërtetë gjithashtu se nuk ka asnjë shpresë përveçse këtë. Por ky nuk është mjekim i dyshimtë—”Çdo njeri që do kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar.” Gjarpri flakërues nuk u ngrit lart si një kureshtje për t’u vështruar prej njerëzve të shëndetshëm, por synimi i tij i posaçëm ishte për ata që ishin “të kafshuar.” Jezusi vdiq si një Shpëtimtar i vërtetë për mëkatarë të vërtetë. Pa dallim, nëse kafshimi të ka bërë një pijanec, ose një hajdut, ose një të papastër ose një njeri profan, një vështrim te Shpëtimtari i madh do të të shërojë nga këto sëmundje dhe do të të bëjë të jetosh në shenjtëri dhe shoqërim me Perëndinë. Shiko dhe jeto.
11 prill (Shoqërim i ngushtë)
“Ata nuk do të mësojnë secili të afërmin e tij dhe secili vëllanë e tij, duke thënë: “Njihni Zotin!”,sepse të gjithë do të më njohin,nga më i vogli e deri te më i madhi”, thotë Zoti.”
{#Jeremia 31:34}
Me të vërtetë që çfarëdo gjëje tjetër që nuk njohim, ne njohim Zotin. Këtë ditë ky premtim është i vërtetë në përjetimin tonë dhe nuk është një premtim i vogël. Besimtari më i vogël mes nesh njeh Perëndinë në Krishtin Jezus. Jo aq shumë sa ne dëshirojmë, por prapëseprapë me të vërtetë e njëmendshëm ne njohim Zotin. Ne jo vetëm njohim doktrina në lidhje me Të, por ne njohim Atë. Ai është Ati dhe Miku ynë. Ne jemi të njohur me Të personalisht. Ne mund të themi, “Zoti im dhe Perëndia im.” Ne jemi të lidhur në shoqërim të ngushtë me Perëndinë dhe ne kalojmë shumë periudha të lumtura nën shoqërinë e Tij.
Ne nuk jemi më të huaj për Perëndinë tonë, por sekreti i Zotit është me ne. Kjo është më shumë se ç’mund të na mësojë natyra. Nuk janë mishi dhe gjaku që na kanë zbuluar Perëndinë. Krishti Jezus i ka bërë të njohur Atin zemrave tona. Nëse atëherë, Zoti na ka bërë ta njohim Atë, a nuk është ky burimi i çdo njohurie shpëtuese? Të njohësh Perëndinë është jetë e përjetshme. Po aq shpejt sa fillojmë të njohim Perëndinë ne kemi provën e ripërtëritjes në risi jete. O shpirti im, gëzohu në këtë njohuri dhe beko Perëndinë tënd gjatë gjithë kësaj dite!
12 prill (Ai nuk kujton më)
“Sepse Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”
{#Jeremia 31:34}
Kur njohim Zotin, ne marrim faljen e mëkateve. Ne e njohim Atë si Perëndinë e Hirit, duke mos na llogaritur mëkatet tona. Çfarë zbulim i gëzueshëm që është ky! Por sa në mënyrë hyjnore që ky premtim është shprehur; Zoti premton të mos mbajë më mend mëkatet tona! A mund të harrojë Perëndia? Ai thotë se po dhe Ai synon me të vërtetë atë që thotë. Ai do të na shohë sikur të mos kishim mëkatuar kurrë. Shlyerja e madhe kaq efektshëm hoqi çdo mëkat sa nuk gjendet më në mendjen e Perëndisë. Besimtari është tani në Krishtin Jezus, ashtu si Adami i pranuar në pafajshmërinë e tij; po, më shumë akoma, sepse ai mban të veshur një drejtësi hyjnore, kurse ajo e Adamit ishte veçse njerëzore.
Zoti i Madh nuk do të sjellë në mend mëkatet tona aq sa t’i dënojë ato ose aq sa të na dojë edhe një grimcë më pak për shkak të tyre. Ashtu si borxhi kur paguhet resht të jetë borxh, po ashtu Zoti bën një fshirje të plotë të paudhësisë së njerëzve të Tij. Kur jemi duke vajtuar për shkak të shkeljeve dhe dobësive tona dhe kjo është një detyrë për aq gjatë sa jetojmë, në të njëjtën kohë le të gëzohemi se ato nuk do të përmenden kurrë kundra nesh. Kjo na bën ta urrejmë mëkatin. Falja falas e Perëndisë na nxit plot vigjilencë që kurrë më të mos ta brengosim me mosbindje.
13 prill (Ky trup i transformuar)
“I Cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e Tij të lavdishëm.”
{#Filipianëve 3:21}
Shpesh kur jemi të munduar me dhimbje dhe të paaftë të mendojmë për adhurim, ndjejmë se ky është me të vërtetë “trupi ynë i përunjur”; dhe kur tundohemi prej pasioneve që ngrihen prej mishit ne nuk e mendojmë aspak fjalën “i përunjur” si një përkthim tepër të fortë. Trupat tanë na përulin dhe kjo është gjëja më e mirë që ata bëjnë për ne. Oh, sikur të ishim të përulur ashtu siç duhet ngaqë trupat tanë na afrojnë me kafshët dhe madje edhe na lidhin me pluhurin!
Por Shpëtimtari ynë, Zoti Jezus, do të ndryshojë gjithë këtë. Ne do të transformohemi po ashtu si vetë trupi i Tij i lavdisë. Kjo do ndodhë në të gjithë që besojnë në Jezus. Nëpërmjet besimit shpirtrat e tyre janë transformuar dhe trupat e tyre do t’i nënshtrohen një risie të tillë sa do t’i përshtatet frymëve të tyre të ripërtëritura. Se kur do të ndodhë ky transformim i madh nuk mund ta dimë, por mendimi për të duhet të na ndihmojë të mbajmë sprovat e të sotmes dhe të gjitha brengat e mishit. Edhe pak dhe do të jemi ashtu si Jezusi është tani. Jo më dhembje koke, jo më gjymtyrë të fryrë, jo më sy të mekur, jo më zemra të lëshuara. Njeriu i vjetër nuk do të jetë më një pirg dobësish, as njeriu i sëmurë një grumbull agonie. “I ngjashëm me trupin e Tij të lavdishëm.” Çfarë shprehje! Mishi ynë do të prehet me shpresën e një ringjalljeje të tillë!
14 prill (Zgjedhja ime është zgjedhja e Tij)
“Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë.”
{#Psalmi 47:4}
Armiqtë tanë do na caktonin një risk shumë të tmerrshëm, por ne nuk jemi lënë në duart e tyre. Zoti do të bëjë që ne të qëndrojmë në pjesën tonë dhe vendi ynë është caktuar prej urtësisë së Tij të pafund. Një mendje më e urtë se e jona merret me fatin tonë. Caktimi i të gjitha gjërave i përket Perëndisë dhe ne jemi të ngazëlluar se është kështu; ne zgjedhim që Perëndia të zgjedhë për ne. Sikur të mund të bënim si të donim do të donim që t’i linim të gjitha gjërat siç do të donte Perëndia. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vetë çmendurinë tonë, ne nuk do të donim të dëshironim të drejtonim fatet tona. Ne ndjehemi më të sigurtë dhe më mirë kur Zoti drejton anijen tonë se sa mundësisht do të ndjeheshim nëse sikur të mund ta drejtonim atë sipas vetë gjykimit tonë. Me gëzim ne ia lëmë të tashmen e dhimbshme dhe të ardhmen e panjohur Atit tonë, Shpëtimtarit tonë, Ngushëlluesit tonë.
O shpirti im, këtë ditë paraqit dëshirat e tua nën këmbët e Jezusit! Nëse kohët e fundit ke qenë disi i pashtruar dhe i pabindur, i zellshëm për të qenë dhe për të bërë sipas kokës tënde, tani hiq dorë prej vetes tënde të çmendur dhe vëre frerin në duart e Zotit. Thuaj, “Ai do të zgjedhë.” Nëse të tjerët vënë në dyshim sovranitetin e Zotit dhe lavdërohen në vullnetin e lirë të njeriut, përgjigju fort atyre, “Ai do të zgjedhë për mua.” Është zgjedhja ime më e lirë ta lë Atë të zgjedhë. Si një veprues i lirë, unë zgjedh që Ai të ketë pushtet absolut.
15 prill (Dëshira e të drejtit e plotësuar)
“Njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.”
{#Fjalët e urta 10:24}
Ngaqë është një dëshirë e drejtë me siguri që Perëndia do ta plotësojë. Nuk do të ishte mirë as për vetë njeriun as për shoqërinë në përgjithësi që një premtim i tillë të mund t’i bëhej të paudhit. Le të ruajmë urdhërimet e Zotit dhe Ai me drejtësi do të respektojë dëshirat tona. Kur njerëzit e drejtë lihen që të kenë dëshira të padrejta, këto nuk do t’i plotësohen atyre. Por atëherë këto nuk janë dëshirat e tyre të vërteta; ato janë hallakatjet dhe proçkat e tyre; dhe është mirë që ato nuk pranohen.
Dëshirat e tyre të hirshme do të vijnë përpara Zotit dhe Ai nuk do t’i thotë jo atyre. A na mohon Zoti për një farë kohe kërkesat tona? Le të na japë zemër premtimi i sotëm për të kërkuar përsëri. A na ka kundërshtuar plotësisht? Ne akoma do ta falënderojmë, sepse gjithmonë ka qenë dëshira jonë që Ai të mos na plotësojë dëshirat nëse e gjykon mosplotësimin më të mirën. Përsa i përket disa gjërave, ne kërkojmë shumë guximshëm. Dëshirat tona kryesore janë për shenjtëri, dobishmëri, ngjashmëri me Krishtin, përgatitje për qiellin. Këto janë dëshirat e hirit dhe jo të natyrës—dëshirat e njeriut të drejtë dhe jo të një njeriu dosido. Perëndia nuk do na rrudhë dorën në këto gjëra, por do të bëjë për ne tepër me bollëk. “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.” Këtë ditë shpirti im, kërko me bollëk!
16 prill (Gjithçka e shenjtëruar)
“Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: “SHENJTËRIM I ZOTIT.”
{#Zakaria 14:20}
Ditë e bekuar kur të gjitha gjërat do të kushtohen dhe zilkat e kuajve do t’i thurin lavde me të madhe shenjtërisë së Zotit! Kjo ditë ka ardhur për mua. A nuk i bëj të gjitha gjërat të shenjta për Perëndinë? Këto rroba, kur i vesh a kur i heq, a nuk do të më kujtojnë vallë drejtësinë e Krishtit Jezus, Zotit tim? A nuk do të bëhet puna ime si për Zotin? Oh, që sot rrobat e mia qofshin veshje priftërore, vaktet e mia darka e Zotit, shtëpia ime një tempull, tryeza ime një altar, fjalimi im temjan dhe unë vetë një prift! Zot, përmbush këtë premtim dhe bëj që asgjë të mos jetë për mua e zakonshme ose e papastër.
Le ta pres këtë në besim. Duke besuar se është kështu, do të ndihmohem ta kryej. Përderisa unë vetë i përkas Jezusit, Zoti im mund të bëj një inventar të gjithçkaje që kam, sepse gjithçka është plotësisht e Tija; dhe unë vendos ta provoj se është kështu nëpërmjet përdorimit që i bëj sot. Nga mëngjesi deri në mbrëmje do të rregulloj të gjitha gjërat nëpërmjet një rregulle të mirë dhe të shenjtë. Zilkat e mia do të tingëllojnë—e pse jo? Madje edhe kuajt e mi do të kenë zilka—e cili ka vallë një të drejtë të tillë për melodi ashtu siç e kanë shenjtorët? Por të gjitha zilkat e mia, muzika ime, hareja ime, do të shenjtërohen dhe do t’i thurin lavde me të madhe emrit të “Perëndisë të Bekuar.”
17 prill (Armiqtë bëjnë paqe)
“Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, Ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.”
{#Fjalët e urta 16:7}
Duhet të kujdesem që shtigjet e mia t’i pëlqejnë Zotit. Edhe atëherë do të kem armiq; dhe ndoshta, me siguri më shumë se më përpara ngaqë përpiqem të bëj atë që është e drejtë. Mirëpo çfarë premtimi që është ky! Zoti do ta bëjë zemërimin e njeriut që ta lavdërojë Atë dhe do ta zbusë kështu që ai nuk do të më pikëllojë. Ai mund të shtrëngojë një armik të mos më dëmtojë, edhe sikur të ketë ndërmend ta bëjë. Këtë Ai e bëri me Labanin, që ndoqi Jakobin, por nuk guxoi ta prekë. Ose Ai mund të nënshtrojë zemërimin e armikut dhe ta bëjë atë miqësor, ashtu si bëri me Esaun, që takoi Jakobin në një mënyrë vëllazërore, edhe pse Jakobi qe tmerruar se mos ai do të donte ta godiste atë dhe familjen e tij me shpatë.
Zoti mund gjithashtu që të kthejë një kundërshtar të ashpër në një vëlla në Krisht dhe bashkëpunëtor, ashtu si bëri me Saulin nga Tarsi. Oh, e bëftë këtë në çdo rast që shfaqet një frymë përndjekëse! Lum njeriu armiqtë e të cilit bëhen për të ajo çfarë u bënë luanët ndaj Danielit në strofull, të qetë dhe të shoqërueshëm! Kur të ndeshem me vdekjen, e cila quhet armiku i fundit, lutem që të mund të jem në paqe. Veçse, shqetësimi im i madh le të jetë që t’i pëlqej Zotit në të gjitha gjërat. Oh, paçim besim dhe shenjtëri, sepse këto janë një kënaqësi për Shumëtëlartin!
18 prill (Ai nuk braktis kurrë)
“Do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.”
{#Jozueu 1:5}
Kjo fjalë drejtuar Jozueut është e cituar shpesh; është baza e asaj fjalës së Dhiatës së Re, “Vetë Ai ka thënë: “Kurrë nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.” Të dashur, një jetë beteje është përpara nesh, por Zoti i ushtrive është me ne. A jemi të thirrur të udhëheqim një popull të madh, por ama levarash? Ky premtim na garanton të gjithë urtësinë dhe kujdesin që do të kemi nevojë. A kemi për t’u ballafaquar me armiq dinakë dhe të fuqishëm? Këtu ka forcë dhe trimëri, guxim dhe fitore. A kemi një trashëgim të madh për të fituar? Nëpërmjet kësaj shenje ne do të arrijmë qëllimin tonë; Vetë Zoti është me ne.
Do të ishte me të vërtetë rrënim për ne nëse Jehovai do të na linte, por, përderisa kjo nuk mund të ndodhë, erërat e shqetësimit lihen të dremisin në shpellat e besnikërisë hyjnore. Zoti nuk do të na braktisë në asnjë rast. Ndodhtë çfarëdo qoftë, Ai do të jetë në anën tonë. Miqtë na braktisin, ndihma e tyre nuk është veçse shi prilli, por Perëndia është besnik, Jezusi është përherë i njëjti dhe Fryma e Shenjtë qëndron përbrenda nesh. Eja, zemra ime, ji e qetë dhe me shpresë sot. Retë mund të mblidhen, por Zoti mund t’i largojë ato tutje. Përderisa Perëndia nuk do të më lërë, nuk do ta lë besimin dhe përderisa Ai nuk do të më braktisë, as unë nuk do ta braktis Atë. Oh, paçim një besim prehës!
19 prill (Një kërkues ekspert)
“Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, Unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e Mia dhe do të kujdesem.”
{#Ezekiel 34:11}
Këtë Ai bën së pari kur të zgjedhurit e Tij janë si dele të hallakatura që nuk njohin bariun as kopenë. Sa mrekullueshëm që Zoti gjen të zgjedhurit e Tij! Jezusi është i madh si një bari kërkues, po ashtu edhe si një bari shpëtues. Edhe pse shumë nga ata që Ati i dha Atij kanë shkuar aq afër portës së ferrit sa do mundnin, prapëseprapë Zoti duke rrëmuar e kërkuar i zbulon dhe i afrohet pranë në hir. Ai na ka gjetur; le të kemi shpresë të mirë për ata që gjenden në zemrat tona në lutje, sepse Ai do t’i gjejë dhe ata.
Zoti përsërit këtë proces sa herë që cilido që i përket kopesë së Tij arrakatet prej kullotave të së vërtetës dhe shenjtërisë. Ata mund të bien në gabim të madh, mëkat të rëndë dhe ngurtësi të fortë, por prapëseprapë Zoti, i Cili është bërë para Atit kapar për ta, nuk do të lejojë as edhe një prej tyre të shkojë aq larg sa të humbasë përfundimisht. Ai, me providencë dhe hir, do t’i ndjekë në toka të huaja, në banesa varfërie, në strofulla errësire, në thellësira dëshpërimi; Ai nuk do të humbasë as dhe një prej tyre që Ati i ka dhënë. Bëhet fjalë për nderin e Jezusit të kërkojë dhe të shpëtojë të gjithë kopenë, pa as dhe përjashtimin më të vogël. Çfarë premtimi që është ky për t’u marrë në mbrojtje, nëse në këtë orë jam i shtrënguar të klith, “po endem si një dele e humbur!”
20 prill (Me anë të besimit e jo me anë të ndjenjave)
“I drejti do të jetojë me anë të besimit.”
{#Romakëve 1:17}
Unë nuk do të vdes. Unë mund të besoj, unë besoj me të vërtetë në Zotin Perëndinë time dhe ky besim do të më mbajë gjallë. Do të numërohem mes atyre që në jetët e tyre janë të drejtë, por edhe sikur të isha i përkryer nuk do të përpiqesha të jetoja me anë të drejtësisë sime; do të kapesha te vepra e Zotit Jezus dhe do të jetoja akoma me anë të besimit në Të dhe me anë të asgjë tjetër .Sikur të isha i aftë të jepja trupin tim për t’u djegur për Zotin tim Jezus, prapëseprapë nuk do të besoja në vetë kurajën dhe qëndrueshmërinë time, por akoma do të jetoja me anë të besimit.
Sikur të isha në turrën e druve martir
Emrin e Zotit do merrja për mbrojtje;
Do kërkoja falje për hir të Tij e asgjë tjetër.
Të jetosh me anë të besimit është një gjë shumë më e sigurtë dhe e lumtur se sa të jetosh me anë të ndjenjave ose me anë të veprave. Dega, duke jetuar në hardhi, jeton një jetë më të mirë se sa do të jetonte vetë, edhe sikur të ishte e mundur të jetonte veçmas nga kërcelli. Të jetosh duke u kapur te Jezusi, duke nxjerrë gjithçka prej Tij, është një gjë e ëmbël dhe e shenjtë. Nëse edhe më të drejtit i duhet që të jetojë në këtë mënyrë, aq më tepër unë që jam një mëkatar i shkretë! Zot, besoj. Më duhet që të të mirëbesoj krejtësisht. Çfarë mund të bëj tjetër? Të të mirëbesoj është jeta ime. Ndjej se kështu është. Do të qëndroj me anë të kësaj deri në fund.
21 prill (Perëndia ta shpërblen)
“Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.”
{#Fjalët e urta 19 :17}
Ne kemi për t’i dhënë të varfrit prej mëshirës. Jo për t’u parë dhe duartrokitur, aq më pak për të fituar ndikim mbi ta, por ne duhet t’i ndihmojmë thjesht prej dashamirësisë dhe zemërdhembshurisë. Nuk duhet të presim që të kemi ndonjë gjë të kthyer prej të varfrit, as edhe mirënjohjen, por duhet ta shikojmë atë që kemi bërë si një hua ndaj Zotit. Ai merr përsipër borxhin dhe nëse shikojmë te Ai për këtë, atëherë nuk duhet të shikojmë te të tjerët. Çfarë nderi që na jep Zoti kur begenis të na marrë hua! Ai tregtar që ka Zotin të shënuar në fletoret e tij është shumë i favorizuar.
Do të dukej me të vërtetë për t’u ardhur keq të kesh të shënuar një emër të tillë për ca kacidhe; le ta bëjmë një shumë të madhe. Le t’i vijmë në ndihmë njeriut të ardhshëm nevojtar që ndeshim. Sa për kthimin e atyre që kemi dhënë zor se do të ndodhë dhe prapëseprapë këtu është bonoja e thesarit e Zotit. Bekuar qoftë emri i Tij, premtimi i Tij për të paguar është më mirë se ari dhe argjendi. A jemi vallë ngushtë në kohë të vështira? Ne mund të guxojmë me përulje ta paraqesim këtë bono thesari në Bankën e Besimit. A ka qenë ndonjëri prej lexuesve dorëngushtë ndaj të varfrit? Shpirt i gjorë. Zoti e faltë.
22 prill (Fuqi për të ngritur)
“Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar.”
{#Psalmi 146 :8}
A jam rrëzuar? Atëherë le të paraqis këtë fjalë hiri përpara Zotit. Është mënyra e Tij, zakoni i Tij, premtimi i Tij, ëndja e Tij të ngrejë lart ata që janë rrëzuar. A është një ndijim mëkati dhe si vijim një depresion fryme që tani më pikëllon? Atëherë në këtë rast vepra e Jezusit është kryer dhe është përfunduar për të më ngritur lart në prehje. O Zot, më ngre, për hir të mëshirës Tënde!
A bëhet fjalë për një rast zie të trishtueshëm apo për ndonjë ndryshim të madh rrethanash? Edhe këtu përsëri Ngushëlluesi ka marrë përsipër të ngushëllojë. Çfarë mëshire për ne që Një prej personave të Trinitetit të Shenjtë të mund të bëhet Ngushëlluesi! Kjo punë do të bëhet mirë, përderisa Një i tillë i lavdishëm përkujdeset për këtë gjë në veçanti. Disa janë kaq poshtë sa vetëm Jezusi mund t’i çlirojë prej dobësive të tyre, por Ai mund dhe Ai do ta bëjë këtë. Ai mund të na ngrejë ne lart në shëndet, në shpresë në lumturi. Ai ka bërë shpesh kështu nën sprovat e mëparshme dhe Ai është i njëjti Shpëtimtar dhe do të përsërisë veprat e Tij dashamirëse. Ne që jemi sot të rrëzuar dhe të pikëlluar, prapëseprapë do të vendosemi lart dhe ata që tani tallen me ne, do të turpërohen me të madhe. Çfarë nderi të jesh i ngritur lart prej Zotit! Ia vlen të jesh i thyer që të mund të përjetojmë fuqinë e Tij ngritëse.
23 prill (Jo frikë prej vdekjes)
“Ai që ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë Fryma kishave. Ai që del fitimtar, nuk do të dëmtohet nga vdekja e dytë.”
{#Zbulesa 2 :11}
Ne duhet ta kalojmë vdekjen e parë, veçse nëse Zoti vjen papritur te tempulli i Tij. Prandaj le të qëndrojmë të përgatitur, duke e pritur pa frikë, përderisa Jezusi ka transformuar vdekjen nga një shpellë e tmerrshme në një kalim për në lavdi. Gjëja për t’u pasur frikë nuk është e para, por vdekja e dytë; jo shkëputja e shpirtit prej trupit, por ndarja përfundimtare e të gjithë njeriut prej Perëndisë. Kjo është vdekje me të vërtetë. Kjo vdekje vret çdo paqe, gëzim, lumturi, shpresë. Kur Perëndia është larguar çdo gjë ka mbaruar. Një vdekje e tillë është shumë më e keqe se sa të reshtësh të ekzistosh; është ekzistencë pa atë jetë që i jep vlerë ekzistencës.
Tani, nëse me anë të hirit të Perëndisë ne vazhdojmë të luftojmë deri në fund dhe dalim fitimtarë në luftën e lavdishme, vdekja e dytë nuk mund të vendosë gishtin e saj të ftohtë mbi ne. Ne nuk do të kemi frikë prej vdekjes dhe ferrit sepse ne do të marrim një kurorë jete që nuk prishet kurrë. Sa na forcon kjo për betejën! Beteja e një jete ia vlen për jetën e përjetshme. Për t’i shpëtuar goditjes së vdekjes së dytë ia vlen të luftosh përgjatë gjithë jetës. Zot, na jep besim në mënyrë që të mund të dalim fitimtarë dhe më pas na jep hir për të qëndruar të padëmtuar edhe pse mëkati dhe satanai na gjëmojnë nga prapa!
24 prill (Kushti i bekimit)
“Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit,që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë,” thotë Zoti i ushtrive, “nëse Unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.”
{#Malakia 3 :10}
Shumë njerëz e lexojnë dhe e marrin në mbrojtje këtë premtim pa vënë re kushtin nga varet bekimi i premtuar. Ne nuk mund të presim që qiejt të hapen ose që bekimi të derdhet nëse nuk i paguajmë detyrimet tona Zotit, Perëndisë tonë dhe kauzës së Tij. Nuk do të kishte mungesë fondesh për qëllime të shenjta nëse të gjithë të ashtuquajturit të krishterë të paguanin pjesën e tyre.
Shumë janë të varfër, sepse grabisin Perëndinë. Shumë kisha gjithashtu, humbasin vizitat e Frymës, sepse i lënë të uritur shërbenjësit e tyre. Nëse nuk ka ushqim për shërbëtorët e Perëndisë, nuk kemi pse të habitemi nëse shërbesa e tyre përmban pak ushqim për shpirtrat tonë. Kur misionet kanë nevojë të madhe për mjete dhe vepra e Zotit është e penguar për shkak të një arke të boshatisur, si mund të presim vallë një begati të madhe shpirtërore? Eja, eja! Çfarë kam dhënë kohët e fundit? A kam qenë dorështrënguar ndaj Perëndisë tim e Shpëtimtarit tim? Kjo nuk do të mjaftojë kurrë. Le t’i jap Zotit tim Jezus të dhjetat e Tij duke ndihmuar të varfrin dhe duke mbështetur veprën e Tij dhe atëherë do të provoj fuqinë e Tij për të më bekuar në një shkallë të madhe.
25 prill (Çfarë t’i lësh fëmijëve)
“I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.”
{#Fjalët e urta 20 :7}
Ankthi për familjen është i natyrshëm, por ama do të ishim të urtë nëse e kthejmë atë në përkujdesje për vetë karakterin tonë. Nëse ecim përpara Zotit në ndershmëri, do të bëjmë më shumë për të bekuar pasardhësit tanë se sa nëse i lëmë si trashëgimi prona të mëdha. Jeta e shenjtë e një ati është një trashëgimi e pasur për bijtë e tij. Njeriu i drejtë i lë trashëgimtarëve të tij shembullin e tij dhe kjo gjë në vetvete do të jetë një minierë pasurie e vërtetë. Sa shumë njerëz që ka të cilët si burim për suksesin në jetë kanë pasur shembullin e prindërve të tyre!
Ai i lë atyre edhe namin e tij! Njerëzit mendojnë shumë më mirë për ne duke qenë bijtë e një njeriu që gëzonte besim, pasardhësit e një tregtari me nam të shkëlqyeshëm. Oh, sikur të gjithë të rinjtë të ishin të merakosur për të ruajtur namin e familjes së tyre! Mbi të gjitha ai i lë fëmijëve të tij lutjet e tij dhe bekimet e një Perëndie lutjedëgjues dhe këto i bëjnë pasardhësit tanë të jenë të favorizuar mes bijve të njerëzve. Perëndia do t’i shpëtojë ata edhe mbasi të kemi ndërruar jetë. Oh, sikur të mund të shpëtoheshin menjëherë! Integriteti ynë mund të jetë mjeti i Perëndisë për të shpëtuar bijtë dhe bijat tona. Nëse ata shikojnë të vërtetën e fesë sonë të vërtetuar prej jetëve tona, ndoshta ata mund të besojnë në Jezus për veten e tyre. Zot, përmbush këtë fjalë për vatrën time.
26 prill (Sjellje e hirshme)
“Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua. ”
{#Ligji i përtërirë 15 :18}
Një padron izraelit kishte për t’i dhënë liri skllavit të tij në kohën e duhur dhe kur ky largohej ai duhej ta niste të lirë të shoqëruar me një risk bujar. Kjo kishte për t’u bërë me zemër dhe me gëzim dhe më pas Zoti premtoi të bekojë veprimin bujar. Fryma e këtij parimi dhe me të vërtetë i gjithë ligji i Krishtit, na urdhëron të trajtojmë mirë çdo punëtor. Ne duhet të kujtojmë se si Zoti është sjellë me ne dhe se kjo e bën absolutisht të nevojshme që ne të sillemi hirshëm me të tjerët. Atyre që janë fëmijët e Perëndisë të hirshëm u ka hije të jenë bujarë. E si mund të presim vallë që Mjeshtri ynë i madh të na bekojë në biznesin tonë nëse i shtypim ata që na shërbejnë?
Çfarë bekimi që është vendosur këtu përpara mendjes bujare! Të bekohesh në çdo gjë që bëjmë do të thotë të bekohesh me të vërtetë. Zoti do të na dërgojë këtë pjesërisht në mbrothësi, pjesërisht në kënaqësi mendjeje dhe pjesërisht në një farë ndijimi të favorit të Tij, i cili është më i miri nga të gjitha bekimet. Ai mund të na bëjë të ndjejmë se jemi nën përkujdesjen e Tij të posaçme dhe jemi të rrethuar nga dashuria e Tij e veçantë. Kjo e bën këtë jetë tokësore një prelud të gëzueshëm për jetën e ardhshme. Bekimi i Perëndisë është më shumë se një trashëgimi. Të bën të pasur dhe nuk shton asnjë vuajtje.
27 prill (Perëndia e çon deri në fund veprën e Tij)
“Zoti do të kryejë (përsosë) veprën e Tij tek unë. ”
{#Psalmi 138 :8}
Ai që e ka nisur punën, do ta vazhdojë veprën që është duke u kryer përbrenda meje. Zoti interesohet për gjithçka që është në interesin tim. Gjithçka që është tani e mirë, por jo e përkryer, Zoti po e ruan, po e mbron dhe po e vazhdon deri në përsosje. Ky është një ngushëllim i madh. Nuk do të mund ta përsosja dot vetë veprën e hirit. Për këtë jam i sigurtë, sepse dështoj çdo ditë dhe kam mbajtur për kaq gjatë deri tani, sepse Zoti më ka ndihmuar. Sikur Zoti të më linte, i gjithë përjetimi im i kaluar do të shkonte kot dhe do të dilja prej udhës përfundimisht, por Zoti do të vazhdojë të më bekojë.
Ai do të përsosë besimin tim, dashurinë time, karakterin tim, punën time të një jete. Ai do ta bëjë këtë, sepse Ai ka filluar një vepër të mirë në mua. Ai më dha përgjegjësinë që ndjej tani dhe në një farë mase, Ai ka përmbushur aspiratat e mia të hirshme. Ai nuk lë kurrë një punë të papërfunduar; kjo nuk do të ishte për lavdinë e Tij dhe nuk do t’i ngjante Atij. Ai di si të përmbushë qëllimin e Tij të hirshëm dhe edhe pse vetë natyra ime e ligë, bota dhe djalli, të gjithë komplotojnë për të më penguar, nuk e vë në dyshim premtimin e Tij. Ai do të përsosë veprën e Tij tek unë dhe do ta lëvdoj Atë përjetë. Zot, vepra jote e hirshme përparoftë sadopak këtë ditë!
28 prill (Pjesëmarrje dhe shoqërim të përbashkët)
“Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli Im”
{#2 Korintasve 6 :16}
Ka një pjesëmarrje të përbashkët. Secili i përket njëri tjetrit. Perëndia është risku i popullit të Tij dhe populli i zgjedhur është risku i Perëndisë të tyre. Shenjtorët gjejnë në Perëndinë zotërimin e tyre kryesor dhe Ai i njeh ata si thesarin e Tij të veçantë. Çfarë burim ngushëllimi qëndron në këtë fakt për çdo besimtar! Kjo gjendje e lumtur pjesëmarrje të përbashkët shpie në konsiderim të përbashkët. Perëndia do të mendojë përherë për njerëzit e Tij dhe ata do të mendojnë përherë për Të. Këtë ditë Perëndia im do të kryejë për mua çdo gjë; çfarë mund të bëj për Të? Mendimet e mia duhet të rrjedhin drejt Tij, sepse Ai mendon për mua. Le të sigurohem së është kështu dhe mos të jem i kënaqur thjesht duke pranuar se ashtu duhet të jetë.
Kjo, përsëri, shpie në shoqërim të përbashkët. Perëndia banon në ne dhe ne banojmë në Të; Ai ecën me ne dhe ne ecim me Perëndinë. Shoqërim i lumtur ky! Oh, paçim hir për ta parë Zotin si Perëndia im; t’i mirëbesosh dhe t’i shërbesh Atij ashtu si Hyjnia e Tij e meriton! Oh, ta dua, ta adhuroj, t’i bindem Jehovait në frymë dhe në të vërtetën! kjo është dëshira e zemrës sime. Kur ta kem arritur këtë do të kem gjetur parajsën. Zot, më ndihmo! Ji Perëndia im duke më ndihmuar të të njoh si Perëndia im, për hir të Jezusit.
29 prill (Harro dhe fal)
“Mos thuaj: “Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen”; ki shpresë te Zoti dhe Ai do të të shpëtojë.”
{#Fjalët e urta 20 :22}
Mos u nxito. Zemërimi le të zbutet. Mos thuaj asgjë dhe mos bëj asgjë për t’u hakmarrë. Me siguri që do të veproje pa urtësi nëse merr armën dhe lufton betejat e tua; dhe, me siguri që nuk do të tregosh frymën e Zotit Jezus. Është më fisnike të falësh dhe ta lësh fyerjen të kalojë. Të lësh një fyerje të pezmatohet në kraharorin tënd dhe të mendosh për hakmarrje, do të thotë t’i mbash plagët e vjetra të hapura dhe të krijosh plagë të reja. Më mirë harro dhe fal.
Ndoshta po thua se duhet të bësh diçka ose përndryshe do të ishe një humbës i madh; atëherë bëj atë çfarë të këshillon ky premtim këtë mëngjes: “Ki shpresë te Zoti dhe Ai do të të shpëtojë.” Kjo këshillë nuk do të të kushtojë as dhe një kacidhe, por ama vlen shumë më tepër. Ji i qetë dhe i butë. Prit prej Zotit; shprehi Atij brengën tënde; shpalos letrën e Rabshakehut përpara Zotit dhe kjo në vetvete do të jetë një lehtësim për mendjen tënde të rënduar. Përveç kësaj është premtimi, “Ai do të të shpëtojë.” Perëndia do të gjejë një rrugë shpëtimi për ty. Se si Ai do ta bëjë këtë as ti dhe as unë nuk mund ta gjejmë dot, por Ai do ta kryejë. Nëse Zoti të shpëton, kjo do të jetë shumë e më mirë se sa të hysh në zënka të parëndësishme dhe të mbulosh veten me fëlliqje duke u përleshur me të papastrën. Mos ji më i zemëruar. Lërja ankesën tënde Gjykatësit të gjithçkaje.
30 prill (Shpërblimi i fitimtarit)
“Kujt fiton do t`i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t`i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s`e njeh askush, përveç atij që e merr.”
{#Zbulesa 2 :17}
Zemra ime, merr zell për të këmbëngulur në luftën e shenjtë, sepse shpërblimi i fitores është i madh. Sot ne hamë prej ushqimit qiellor që bie përreth kampeve tona; ushqimin e shkretëtirës, ushqimin që vjen prej qiellit, ushqimin që nuk i mungon kurrë pelegrinëve drejtuar për në Kanan. Por është e ruajtur për ne në Krishtin Jezus një shkallë shumë më e lartë jete shpirtërore dhe një ushqim që deri tani është i fshehur për përjetimin tonë. Në enën e artë që ishte e vendosur në arkë kishte një racion mane të fshehur, i cili edhe pse i ruajtur prej qëmoti kurrë nuk u bë bajat.
Askush nuk e pa ndonjëherë atë; ishte e fshehur në arkën e besëlidhjes, në Vendin shumë të shenjtë. Po ashtu, jeta më e lartë e të krishterit është e fshehur me Krishtin, në Perëndinë. Do ta arrijmë shpejt. Duke qenë fitimtar nëpërmjet hirit të Zotit tonë Jezus, ne do të hamë prej racionit të Mbretit dhe do të ushqehemi me gjellë mbretërore. Ne do të ushqehemi me Jezusin. Ai është “mana jonë e fshehur” po ashtu si mana e shkretëtirës. Ai është gjithçka në gjithçka për ne, si në gjendjen tonë më të lartë po ashtu si edhe në atë më të ulëtën. Ai na ndihmon të luftojmë, na jep fitoren dhe më pas vetë Ai është shpërblimi ynë. Zot, më ndihmo të dal fitimtar.