1 qershor (Premtimi i Perëndisë realizohet)
“Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.”
{#Predikuesi 11:1}
Nuk duhet që të presim të kemi një shpërblim të menjëhershëm për të gjithë të mirën që bëjmë; as nuk duhet t’i kufizojmë përpjekjet tona në vende dhe me njerëz që duken se me shumë mundësi do të na japin një shpërblim për mundet tona. Egjiptiani hedh farën e tij mbi ujërat e Nilit, gjë që mund të duket thjesht një humbje drithi. Mirëpo në kohën e duhur niveli i ujërave bie, orizi ose ndonjë farë tjetër fundoset në baltën pjellore dhe shumë shpejt prodhohet një e korrur. Le t’i bëjmë sot të mirë mosmirënjohësit dhe të ligut. Le të mësojmë të pakujdesshmin dhe kokëfortin.
Ujëra të pagjasa mund të mbulojnë tokë shpresëdhënëse. Askund nuk do të jetë e kotë puna jonë në Zotin. Na përket ne të hedhim bukën mbi ujërat; i mbetet Perëndisë të përmbushë premtimin, “do ta gjesh.” Ai nuk do të lërë që premtimi i Tij të dështojë. Fjala e mirë e Tij që ne kemi thënë do të jetojë, do të gjendet, do të gjendet prej nesh. Ndoshta jo pikërisht tani, por një ditë ne do të korrim atë që kemi mbjellur. Ne duhet të ushtrojmë durimin tonë, sepse ndoshta Zoti është duke e sprovuar. “Pas shumë kohe,” thotë Shkrimi dhe në shumë raste këto kohë kapin muaj dhe vite dhe prapëseprapë fjala qëndron e vërtetë. Premtimi i Perëndisë do të realizohet; le të kemi kujdes që të ruajmë parimin dhe ta ruajmë po këtë ditë.
2 qershor (Liri e menjëhershme)
“Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t`i shkul lidhjet e tua.”
{#Nahumi 1:13}
Asiriani u lejua për një kohë të shtypë popullin e Zotit, por erdhi një kohë për fuqinë e tij që të thyhej. Kështu, shumë zemra mbahen në skllavëri prej satanait dhe dërrmohen nën zgjedhën e tij. Oh, fjala e Zotit ardhtë menjëherë te këta të burgosur që shpresojnë, sipas tekstit—”Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t’i shkul lidhjet e tua.” Shiko! Zoti premton një çlirim të tanishëm: “Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt.” Beso për liri të menjëhershme dhe sipas besimit tënd do të të bëhet pikërisht në këtë çast.
Kur Perëndia thotë “tani,” asnjë njeri të mos thotë “nesër.” Shiko se sa i plotë ka për të qenë shpëtimi, sepse zgjedha nuk ka për t’u hequr, por do të thyhet dhe lidhjet nuk kanë për t’u zgjidhur, por do të shkulen. Këtu ka një shfaqje të forcës hyjnore që garanton se shtypësi nuk do të kthehet. Zgjedha e tij është thyer, ne nuk mund të përkulemi përsëri prej peshës së tij. Lidhjet e tij janë shkulur, ato nuk mund të na mbajnë më gjatë. Oh, të besosh te Jezusi për çlirim të plotë dhe të përjetshëm! “Nëse Biri do t`ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë.” Eja Zot dhe çliro robërit e Tu, sipas fjalës Tënde.
3 qershor (Themel i sigurtë)
“Zoti, Zoti, është forca ime; Ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të sutës dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia.”
{#Habakuk 3:19}
Ky mirëbesim i njeriut të Perëndisë është njëlloj me një premtim, sepse besimi nuk ka dyshime për qëllimin e Perëndisë. Profeti pati për të përshkuar vendet e thella të varfërisë dhe urisë, por ai e zbriti malin pa rrëshqitur, sepse Zoti i dha atij qëndrueshmëri. Pak nga pak dhe ai u thirr për te vendet e larta të maleve të konfliktit dhe për të ishte njëlloj të ngjitej lart a të zbriste poshtë. Shiko! Zoti i dha forcë. Jo, Jehovai vetë ishte forca e tij. Mendo për këtë: vetë Perëndia i Plotfuqishëm bëhet forca jonë!
Vëre se Zoti i dha gjithashtu atij hap të sigurtë. Suta kërcen mbi shkëmbinj dhe shkrepa, duke mos gabuar kurrë. Zoti ynë do të na japë hir për të ndjekur shtigjet më të vështira të detyrës pa as dhe një pengim. Ai mund të përgatisë këmbët tona për shkëmbinjtë e thepisur, kështu që ne do të jemi si në shtëpinë tonë atje ku pa Perëndinë do të vdisnim. Një prej këtyre ditëve do të thirremi akoma për në vende të larta. Atje lart do të ngjitemi, madje te mali i Perëndisë, te vendet e larta ku janë mbledhur të shndritshmit. Oh, çfarë këmbësh që janë këmbët e besimit, që do të na mundësojnë, duke ndjekur Sutën e Mëngjesit, të ngjitemi në malin e Zotit!
4 qershor (Tejet i çmuar)
“Ata do të jenë të mitë,” thotë Zoti i ushtrive, ditën kur Unë përgatis thesarin Tim të veçantë.”
{#Malakia 3:17}
Dita po vjen kur gurët e çmuar të kurorës së Mbretit tonë të madh do të numërohen, që të mund të dallohet nëse i përgjigjen inventarit që Ati i dha Atij. Shpirti im, a do të jesh mes gjërave të çmuara të Jezusit? Ti je i çmuar për të nëse Ai është i çmuar për ty dhe do të jesh i Tij “atë ditë,” nëse Ai është yti këtë ditë. Në ditët e Malakias, të zgjedhurit e Zotit e kishin zakon të bashkëbisedonin në mënyrë të tillë me njëri tjetrin sa Vetë Perëndia i tyre dëgjonte bisedën e tyre. Ai e pëlqeu kaq shumë sa e mbajti shënim; po, madje shkroi një libër, që e ruajti në Zyrën e Tij të Shënimeve.
I kënaqur me bisedat e tyre, Ai ishte gjithashtu i kënaqur me ta. Pusho, shpirti im dhe pyet veten; sikur Jezusi të dëgjonte bisedën tënde, a do të kënaqej me të? A është për lavdinë e Tij dhe për ndërtimin e vëllazërisë? Përgjigju shpirti im dhe sigurohu se thua të vërtetën. Por çfarë nderi që ne krijesa të gjora të konsiderohemi nga Zoti si gurët e çmuar të kurorës së Tij! Këtë nder e kanë të gjithë shenjtorët. Jezusi nuk thotë veçse, “Ata janë të mitë,” por, “Ata do të jenë të mitë.” Ai na bleu, na kërkoi, na solli brenda dhe deri tani na ka punuar sipas imazhit të Tij që të manovrohemi nga Ai me gjithë fuqinë e Tij.
5 qershor (A ka një dallim?)
“Por kundër asnjërit prej bijve të Izraelit, qofshin ata njerëz apo kafshë, asnjë qen s’ka për të lëvizur gjuhën, me qëllim që të dini se Zoti bën dallimin midis Egjiptasve dhe Izraelit.”
{#Eksodi 11:7}
Çfarë! A ka Perëndia pushtet mbi gjuhët e qenve? A mund t’i ndalojë Ai qentë e rrugës të lehin? Po, kështu është me të vërtetë. Ai madje mund edhe të parandalojë qenin egjiptian të ngacmojë një prej qengjave të kopesë së Izraelit. A i bën Perëndia, qentë, kokëfortët mes njerëzve dhe qenin e madh në portën e ferrit, të heshtin? Atëherë le të ecim përpara në rrugën tonë pa frikë. Nëse Ai lejon që qentë të lëvizin gjuhën e tyre, prapëseprapë Ai mund të ndalojë kafshimin e dhëmbëve të tyre. Ato mund të bëjnë një zhurmë të tmerrshme dhe megjithatë pa na bërë ndonjë dëm të vërtetë. Mirëpo, sa e ëmbël që është qetësia! Sa e këndshme të shkojmë e të vijmë mes armiqve dhe të dallojmë se Perëndia i bën ata që të jenë në paqe me ne! Ashtu si Danieli në strofullën e luanëve, jemi të padëmtuar mes shkatërruesve.
Oh, sikur sot, kjo fjalë e Zotit drejtuar Izraelit të mund të jetë e vërtetë për mua! A më shqetëson qeni? Do t’i tregoj Zotit në lidhje me të. Zot, ai nuk e çan kokën për përgjërimet e mia; fol Ti fjalën e fuqisë dhe ai do të detyrohet të shtrihet poshtë. Më jep paqe O Perëndia im dhe më lër të shikoj dorën Tënde kaq qartë në këtë gjë që të mund të shquaj shumë dallueshëm ndryshimin që hiri Yt ka bërë mes meje dhe të paperëndishmit!
6 qershor (Ai përherë dëgjon)
“Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.”
{#Psalmi 6:9}
Përjetimi i shënuar këtu është imi. Mund të vë vulën time se Perëndia është i vërtetë. Në shumë mënyra të mrekullueshme Ai i është përgjigjur lutjeve të shërbëtorit të Tij shumë e shumë herë. Po dhe Ai po dëgjon lutjen tim të tanishme dhe nuk po kthen veshin prej meje. I bekuar qoftë emri i Tij i shenjtë! Çfarë atëherë? Atëherë, me siguri që premtimi që qëndron nën mirëbesimin e Psalmistit është imi gjithashtu. Le ta kap atë me dorën e besimit: “Zoti e ka pranuar lutjen time.” Ai do ta pranojë atë, do të mendojë për të dhe do ta plotësojë në mënyrën dhe kohën që urtësia e Tij e dashur gjykon të jetë më mirë.
I sjell lutjen time të gjorë me dorën time Mbretit të madh dhe Ai më pranon në audiencë dhe hirshëm pranon peticionin tim. Armiqtë e mi nuk do të më dëgjojnë, por Zoti do të më dëgjojë. Ata përqeshin lutjet time të përlotura, por jo Zoti im ama; Ai pranon ta dëgjojë lutjen time dhe ta marrë në zemrën e Tij. Çfarë pritjeje që është kjo për një mëkatar të mjerë! Ne pranojmë Jezusin dhe atëherë Zoti na pranon ne vetë dhe lutjet tona për hir të Birit të Tij. Bekuar qoftë ai emër i shtrenjtë që i poston pa taksë lutjet tona kështu që ato kalojnë falas madje përbrenda portave të arta. Zot, më mëso të lutem, përderisa Ti dëgjon lutjet e mia.
7 qershor (Vendi më i sigurtë)
“Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora Ime.”
{#Gjoni 10:28}
Ne besojmë në sigurinë e përjetshme të shenjtorëve. Së pari, sepse ata janë të Krishtit dhe Ai nuk do të humbë kurrë delen që Ai ka blerë me gjakun e Tij dhe të pranuar prej Atit të Tij. Më pas, sepse Ai i jep atyre jetë të përjetshme dhe nëse është e përjetshme, atëherë, është e përjetshme dhe nuk mund të ketë fund për të, veçse po të ketë fund për ferrin, parajsën dhe Perëndinë. Nëse jeta shpirtërore mund të shuhet, atëherë dukshëm nuk është jetë e përjetshme, por e përkohshme. Por Zoti flet për jetë të përjetshme dhe kjo përjashton efektshmërisht mundësinë e një fundi. Vëre më tej se Zoti shprehimisht thotë, “ata nuk do të humbasin kurrë.”
Për aq gjatë sa fjalët kanë një kuptim, kjo i siguron besimtarët prej humbjes. Mosbesimi më kokëfortë nuk mund të ndrydhë këtë domethënie të kësaj fjalie. Atëherë, për të qenë i plotë, Ai deklaron se të gjithë njerëzit e Tij janë në dorën e Tij dhe sfidon të gjithë armiqtë e tyre për t’i rrëmbyer nga ajo dorë. Me siguri që është një gjë e pamundur madje edhe për djallin e ferrit. Ne jemi të sigurtë në mbërthimin e një Shpëtimtari të Plotfuqishëm. Le të përkujdesemi që të hedhim poshtë frikën mishore, po ashtu si dhe mirëbesimin mishor dhe të prehemi në paqe në pëllëmbën e dorës së Shpëtimtarit.
8 qershor (Kërkimi i urtësisë)
“Por nëse ndonjërit prej jush i mungon mençuria, le t’ia kërkojë Perëndisë që u jep të gjithëve pa kursim e pa i qortuar dhe do t’i jepet.”
{#Jakobi 1:5}
“Nëse ndonjërit prej jush i mungon mençuria.” Nuk ka asnjë “nëse” në këtë punë, sepse jam i sigurtë se më mungon. E çfarë njoh vallë? Si mund të udhëheq vetë rrugën time? Si mund të drejtoj të tjerët? Zot, jam një masë marrëzie dhe nuk kam urtësi. Ti thua, “le t’ia kërkojë Perëndisë.” Zot, tani kërkoj. Këtu në stolin e këmbëve të Tua kërkoj të furnizohem me urtësi qiellore për shqetësimet e kësaj dite, po, dhe për marrëzitë e kësaj dite, sepse e di se mund të bëj gjëra tejet të marra edhe në gjëra të thjeshta, nëse nuk më ruan prej së keqes.
Të falënderoj se gjithçka që kam për të bërë është të kërkoj. Çfarë hiri që është ky nga ana Jote që kam veçse për t’u lutur në besim dhe Ti do të më japësh urtësi! Ti më premton këtu me të vërtetë një edukim të bollshëm dhe këtë për më tepër pa një tutor të zemëruar ose asistent të ashpër. Këtë gjithashtu, Ti do ta japësh falas—do t’ia japësh një të marri që i mungon urtësia. O Zot, të falënderoj për këtë fjalë pozitive dhe domethënëse, “do t’i jepet.” E besoj atë. Këtë ditë do të bësh të sapolindurin Tënd të njohë urtësinë e fshehur që i dituri mishor nuk mëson kurrë. Ti do të më udhëheqësh me këshillën Tënde dhe më pas do të më pranosh në lavdi.
9 qershor (Një emër i besueshëm)
“Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit.”
{#Sofonia 3:12}
Kur feja e vërtetë është gati që të vdesë mes të pasurve, ajo gjen vend mes të varfërve të kësaj bote, të pasur në besim. Zoti ka deri tani mbetjen e Tij besnike. A jam një prej tyre? Ndoshta është ngaqë njerëzit janë të përulur dhe të varfër që ata mësojnë ta vendosin besimin e tyre në emrin e Zotit. Ai që nuk ka para duhet që të provojë se çfarë mund të bëj i mbështetur mbi besimin. Ai me një emër që nuk vlen hiç gjë në vetë vlerësimin e tij, vepron me urtësi duke u prehur në një emër tjetër, madje në atë emrin më të mirin e emrave, emrin e Jehovait. Perëndia do të ketë përherë një popull që e vendos besimin te Ai dhe ky do të jetë një popull i përulur dhe i varfër.
Edhe pse bota mendon pak për ta, mbetja e tyre mes një kombi është kanali i bekimeve të pallogaritshme për të. Këtu ne kemi kripën ruajtëse që mban në kontroll korruptimin që është në botë përmes epshit. Përsëri pyetja na drejtohet secilit prej nesh, A jam një prej tyre? A jam i pikëlluar prej mëkatit përbrenda meje dhe përreth meje? A jam i varfër në frymë? A i mirëbesoj Zotit? Kjo është gjëja kryesore. Jezusi zbulon emrin, karakterin, personin e Perëndisë; a po i mirëbesoj Atij? Nëse po, jam lënë në këtë botë për një qëllim. Zot, më ndihmo ta përmbush atë.
10 qershor (Bariu i siguron ata)
“Ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë.”
{#Sofonia 3:13}
Dje ne menduam për popullin e përulur dhe të varfër që Zoti la që të jetë një pasardhje e gjallë në një botë të vdekur. Profeti thotë për këta se nuk do të kryejnë të ligën as nuk do të flasin gënjeshtra. Kështu që ndërsa ata nuk kishin as pozitë as pasuri për t’u mbrojtur, ata gjithashtu ishin krejtësisht të paaftë të përdorin ato armë ku i ligu vë kaq shumë besim; ata nuk mund të mbrojnë veten as me anë të mëkatit as me dhelpëri.
Çfarë atëherë? A do të shkatërrohen vallë? Në asnjë mënyrë! Ata do të ushqehen dhe do të prehen dhe jo thjesht që do të çlirohen nga rreziku, por edhe do të jenë të patrazuar prej frikës së të ligës. Delet janë krijesa shumë të dobëta dhe ujqërit janë armiq të tmerrshëm; prapëseprapë në këtë orë delet janë më të shumta se ujqërit dhe kauza e deleve është duke fituar gjithnjë e më shumë, ndërsa kauza e ujqërve është duke rënë gjithnjë e më shumë. Një ditë, kope delesh do të mbulojnë fushat dhe nuk do të mbetet as dhe një ujk. Fakti është se delet kanë një bari dhe kjo i jep atyre ushqime, mbrojtje dhe paqe. “Askush”—që do të thotë se as dhe një, qoftë në formë njerëzore ose djallëzore—”nuk do t’i trembë.” Kush do të tmerrojë kopenë e Zotit ndërsa Ai është afër? Ne shtrihemi në kullota me bar të njomë, sepse Vetë Jezusi është ushqimi dhe prehja e shpirtrave tanë.
11 qershor (Asnjë shkak për t’u turpëruar)
“Mos u frikëso, sepse nuk do të ngatërrohesh (turpërohesh).”
{#Isaia 54:4}
Ne nuk do të turpërohemi prej besimit tonë. Kritikë vogëlimash mund të sulmojnë Shkrimet mbi të Cilët ne bazojmë besimin tonë, por çdo vit Zoti do ta bëjë gjithnjë e më shumë të qartë se në këtë Libër nuk ka gabim, as shtesë, as mungesë. Nuk është diskreditim të jesh një besimtar i thjeshtë; besimi që shikon vetëm te Jezusi është një kurorë nderi mbi kokën e çdo njeriu dhe më mirë se një yll mbi kraharorin e tij. Nuk do të turpërohemi prej shpresës sonë. Do të bëhet po ashtu si ka thënë Zoti. Do të ushqehemi, udhëhiqemi, bekohemi dhe prehemi. Zoti ynë do të vijë dhe atëherë ditët e vajtimit tonë do të përfundojnë. Sa do të lavdërohemi në Zotin i Cili na dha së pari shpresë të gjallë dhe më pas na dha atë për të cilën shpresuam!
Nuk do të turpërohemi prej dashurisë sonë. Jezusi është për ne i tëri i dashur dhe kurrë, kurrë nuk kemi për t’u skuqur ngaqë ia kemi dhënë Atij zemrat tona. Pamja e të Shumëdashurit tonë të lavdishëm do të justifikojë lidhjen tonë më entuziaste me Të. Askush nuk do të qortojë martirët ngaqë vdiqën për Të. Ndërsa armiqtë e Krishtit janë të veshur me përçmim të përjetshëm, ata që e duan Jezusin do të nderohen prej të gjitha qenieve të shenjta, ngaqë zgjodhën turpërimin e Krishtit se sa pasuritë e Egjiptit.
12 qershor (Duke qëndruar veçan, i sigurtë)
“Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurtë (duke qëndruar veçan), në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij do të japë vesë.”
{#Ligji i përtërirë 33:28}
Aq më shumë që qëndrojmë veçan, aq më shumë të sigurtë do të jemi. Perëndia do që njerëzit e Tij të ndahen nga mëkatarët. Thirrja e Tij ndaj tyre është, “dilni nga gjiri i tyre.” Një botë e ashtu quajtur e krishterë është një përçudnim i tillë sa Shkrimet nuk do ta justifikonin kurrë. Një i krishterë sipas botës është i sëmurë shpirtërisht. Ata që bëjnë kompromis me armiqtë e Krishtit mund të njihen si të tillë.
Siguria jonë nuk qëndron në bërje ujdish me armikun, por në qëndrimin veçan me Mikun tonë më të mirë. Nëse ne e bëjmë këtë, do të qëndrojmë të sigurtë, pavarësisht sarkazmat, shpifjet dhe përqeshjet e botës. Do të jemi të sigurtë prej ndikimit të dëmshëm të mosbesimit të saj, krenarisë së saj, kotësisë së saj, fëlliqësisë së saj. Ndërsa qëndrojmë veçan, Zoti do të na bëjë gjithashtu të qëndrojmë të sigurtë në atë ditë kur kombet do të ndëshkohen prej mëkatit me anë luftërash dhe zi buke. Zoti e solli Abrahamin prej Urit të Kaldesë, por ai ndaloi në mes të rrugës. Ai nuk pati bekime derisa, mbasi u nis për të shkuar në tokën e Kananit, në tokën e Kananit mbërriti. Ai e ndjeu veten të sigurtë ndërsa qëndronte veçan madje edhe mes armiqve. Loti nuk ishte i sigurtë në Sodomë edhe pse mes një rrethi miqsh. Siguria jonë është të qëndrojmë veçan me Perëndinë.
13 qershor (Kultivim hyjnor)
“Unë, Zoti, e ruaj, e vadis (do ta vadis) çdo çast, e ruaj (do ta ruaj) natën e ditën.”
{#Isaia 27:3}
Kur Vetë Zoti flet në Vetë personin e Vet se sa nëpërmjet një profeti, fjala ka një peshë të veçantë për mendjet besimtare. Është vetë Jehovai që është ruajtësi i vetë vreshtit të Tij; Ai nuk ia beson ndonjë tjetri, por e ka nën përkujdesjen e Tij vetjake. A nuk janë të ruajtur mirë ata që vetë Perëndia ruan? Ne kemi për të marrë ujitje të hirshme, jo vetëm çdo ditë dhe çdo orë, por “çdo çast.” Sa duhet që të rritemi! Sa e freskët dhe e frytshme që çdo bimë duhet të jetë! Çfarë vilesh të bollshme vreshtat duhet të mbajnë!
Por trazuesit vijnë—dhelprat e vogla dhe derri i egër. Prandaj, vetë Zoti është ruajtësi ynë dhe këtë Ai e bën çdo çast, “natën e ditën.” Çfarë mund të na dëmtojë atëherë? Pse kemi frikë? Ai përkujdeset, vadit, ruan; për çfarë kemi nevojë më tepër? Dy herë në këtë varg Zoti thotë, “Unë do të.” Çfarë të vërtete, çfarë pushteti, çfarë dashurie, çfarë pandryshueshmërie që gjejmë në “do të-n” e madhe të Jehovait! Kush mund t’i rezistojë vullnetit të Tij? Nëse Ai thotë “Unë do të,” çfarë vendi ka atëherë për dyshim? Me një “Unë do të” të Perëndisë ne mund të përballojmë të gjithë mizërinë e mëkatit, vdekjes dhe ferrit. O Zot, përderisa Ti thua, “Unë do të të ruaj,” unë përgjigjem, “unë do të të lëvdoj!”
14 qershor (Ai qëndron me ne përherë)
“Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e Tij, për hir të Tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t’ju bëjë popullin e Vet.”
{#1 Samueli 12:22}
Zgjedhja nga Perëndia e popullit të Tij është arsyeja e qëndrimit të Tij me ta dhe e mosbraktisjes së tyre. Ai i zgjedh ata për shkak të dashurisë së Tij dhe i do për shkak të zgjedhjes së Tij. Vetë pëlqimi i Tij i mirë është burimi i zgjedhjes së tyre dhe zgjedhja e Tij është arsyeja pse Ai vazhdon të gjejë kënaqësinë e Tij në ta. Do ta çnderonte emrin e Tij të madh sikur t’i braktiste, përderisa kjo do të tregonte ose se Ai bëri një gabim në zgjedhjen e Tij ose se ishte i paqëndrueshëm në dashurinë e Tij. Dashuria e Perëndisë ka këtë lavdi se nuk ndryshon kurrë dhe këtë lavdi Ai nuk do ta njollosë kurrë.
Duke kujtuar të gjitha dashamirësitë e mëparshme të Zotit, le të prehemi të siguruar se Ai nuk do të na braktisë. Ai që ka shkuar aq larg sa të na bëjë popullin e Tij, nuk do ta ç’bëj krijimin e hirit të Tij. Ai nuk ka vënë në vepër për ne të tilla mrekulli me qëllim që më pas të na lërë. Biri i Tij Jezus ka vdekur për ne dhe le të jemi të sigurtë se Ai nuk vdiq më kot. A mund të braktisë ata për të cilët Ai derdhi gjakun e Tij? Ngaqë deri tani Ai ka gjetur kënaqësi në zgjedhjen dhe në shpëtimin tonë, do të jetë akoma kënaqësia e Tij të na bekojë. Zoti ynë Jezus nuk ndryshon në dashurinë e Tij. Duke qenë se i ka dashur të vetët, Ai i do ata deri në fund.
15 qershor (Bekimet vetjake të përhapura)
“Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.”
{#Psalmi 128:5}
Ky është një premtim për njeriun me frikën e Perëndisë që ecën në shtigjet e shenjtërisë me kujdes të zellshëm. Ai do të ketë bekueshmëri në shtëpinë e tij; gruaja dhe fëmijët e tij do të jenë një burim i madh lumturie në shtëpinë e tij. Mirëpo si një pjesëtar i kishës, ai dëshiron të shikojë kauzën të begatojë, sepse është po aq i vëmendshëm për shtëpinë e Zotit sa për të tijën. Kur Zoti ndërton shtëpinë tonë, është me vend që të dëshirojmë të shikojmë të ndërtohet shtëpia e Zotit. Të mirat tona nuk janë me të vërtetë të mira nëse nuk përkrahim me to të mirën e Kishës së zgjedhur të Zotit.
Po, do të marrësh një bekim kur të ngjitesh te asambletë e Sionit; do të mësohesh, gjallërohesh dhe ngushëllohesh, atje ku lutja dhe lavdia ngjiten lart dhe dëshmia i jepet Flijimit të Madh. “Zoti të bekoftë nga Sioni.” Jo vetëm ti do të përfitosh; vetë Kisha do të begatojë; besimtarët do të shumëzohen dhe vepra e tyre e shenjtë do të kurorëzohet me sukses. Disave njerëz të hirshëm iu përmbushet ky premtim për aq gjatë sa jetojnë. Sa keq! Kur ata vdesin, kauza shpesh dobësohet. Le të jemi mes atyre që i sjellin gjëra të mira Jeruzalemit gjatë gjithë ditëve të tyre. Zot, na bëj të tillë prej mëshirës tënde! Amen.
16 qershor (Zotëro, jo vetëm pretendo)
“Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.”
{#Mateu 13:12}
Kur Zoti i ka dhënë një njeriu shumë hir, Ai do t’i japë atij akoma më shumë. Një besim i vogël është veç një filiz, por akoma më shumë besim do të shtohet. Por atëherë nuk duhet të jetë besim në dukje, por besim real dhe i vërtetë. Sa e nevojshme që është për ne që ta marrim shumë seriozisht besimin dhe jo të pretendojmë shumë dhe të mos zotërojmë asgjë! sepse një prej këtyre ditëve vetë pretendimi do të na merret nëse është gjithçka që kemi. Kërcënimi është po aq i vërtetë sa premtimi.
Bekuar qoftë Zoti, është mënyra e Tij e të vepruarit kur ka nisur një punë, të vazhdojë të japë nga hiret e Frymës së Tij, derisa ai që pati veç pak dhe prapëseprapë e pati me të vërtetë atë pak, bëhet të ketë me bollëk. Oh, paçim këtë bollëk! Bollëku i hirit është një gjë që duhet dëshiruar fort. Do të ishte mirë të njohësh shumë, por më mirë të duash shumë. Do të ishte e këndshme të kesh bollëk aftësish për të shërbyer Perëndinë, por akoma më mirë të kesh besim të bollshëm për të mirëbesuar në Zotin për aftësi dhe çdo gjë. Zot, përderisa më ke dhënë një ndijim mëkati, thello urrejtjen time të mëkatit. Përderisa më ke bërë që t’i mirëbesoj Jezusit, ngrije besimin tim në siguri të plotë. Përderisa më ke bërë të të dua, më bëj që të rrëmbehem me dashuri të zjarrtë për Ty!
17 qershor (Fusha jonë e betejës)
“Sepse Zoti, Perëndia juaj, është Ai që ecën me ju për të luftuar për ju kundër armiqve tuaj dhe për t’ju shpëtuar.”
{#Ligji i përtërirë 20:4}
Ne nuk kemi armiq përveç armiqve të Perëndisë. Luftërat tona nuk janë kundër njerëzve, por kundra ligësisë shpirtërore. Ne i bëjmë luftë djallit, blasfemisë, gabimit dhe dëshpërimit që ai sjell në fushën e betejës. Ne luftojmë kundra të gjitha ushtrive të mëkatit— papastërtisë, dehjes, shtypjes, pabesisë dhe paperëndishmërisë. Në luftojmë me zell kundër këtyre, por jo me shpatë ose heshtë; armët e luftës sonë nuk janë mishore.
Jehovai, Perëndia ynë ka neveri çdo gjë që është e ligë dhe prandaj Ai ecën me ne për të luftuar për ne në këtë kryqëzatë. Ai do të na shpëtojë dhe do të na japë hir për të luftuar një luftë të mirë dhe të arrijmë fitoren. Të jemi të sigurtë se nëse jemi në anën e Perëndisë, Perëndia është në anën tonë. Me një aleat të tillë hyjnor, konflikti nuk është kurrë i pasigurt. Nuk është ngaqë e vërteta është e fuqishme dhe duhet që të mbizotërojë, por ajo fuqi qëndron me Atin që është i Plotfuqishëm, me Jezusin që ka çdo pushtet në qiell e në tokë dhe me Frymën e Shenjtë që vë në jetë vullnetin e Tij mes njerëzve. Ushtarë të Krishtit, ngjishni armaturën tuaj. Godisni në shënjestër në emër të Perëndisë të shenjtërisë dhe me anë të besimit mbërtheni shpëtimin e Tij. Le të mos kalojë kjo ditë pa goditur në shenjë për Jezusin dhe shenjtërinë.
18 qershor (Vetë Perëndia do të veprojë)
“Tani do të çohem,” thotë Zoti, “tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.”
{#Isaia 33:10}
Kur plaçkitësit e bënë tokën po aq të zbrazët sikur të ishte e gllabëruar prej karkalecave dhe kur luftëtarët që patën mbrojtur vendin u ulën përtokë dhe qanë si gra, atëherë Zoti i erdhi në ndihmë. Kur shtegtarët reshtën të udhëtonin për në Sion dhe Bashani e Karmeli ishin si vreshta pa fryt, atëherë Zoti u ngrit. Perëndia është i lartësuar në mes të një populli të pikëlluar, sepse ata kërkojnë fytyrën e Tij dhe i mirëbesojnë Atij. Ai është akoma më shumë i lartësuar kur në përgjigje të thirrmës së tyre Ai ngrihet për t’i çliruar dhe për të përmbysur armiqtë e tyre.
A është ditë pikëllimi për ne? Le të presim tani të shikojmë Zotin të lavdëruar në shpëtimin tonë. A po zgjatemi në lutje të zjarrta? A i klithim Atij ditë e natë? Atëherë koha e caktuar për hirin e Tij është afër. Perëndia do të ngrihet në kohën e duhur. Ai do të ngrihet kur do të ketë më shumë për shfaqjen e lavdisë së Tij. Ne dëshirojmë fort më shumë lavdinë e Tij se sa vetë çlirimin tonë. Le të lartësohet Zoti dhe dëshira jonë kryesore është e përmbushur. Zot, na ndihmo në mënyrë të tillë që të mund të shikojmë se Ti vetë je duke punuar. Le të mund të të madhërojmë në thellësinë e shpirtrave tanë. Bëji të gjithë përreth nesh të shikojnë se sa Perëndi i mirë dhe i madh që je.
19 qershor (Një zemër e paqortueshme)
“Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.”
{#Psalmi 119:80}
Ne mund ta shikojmë këtë lutje të frymëzuar si duke përmbajtur në vetvete sigurinë se ata që i qëndrojnë afër Fjalës së Perëndisë nuk do të kenë kurrë shkak për të pasur turp se veprojnë në këtë mënyrë. Shiko, lutja është për të pasur një zemër të paqortueshme. Një kredo e paqortueshme është mirë, një gjykim i paqortueshëm në lidhje me të është më mirë akoma, por një zemër e paqortueshme në lidhje me të vërtetën është më e mira nga të gjitha. Ne duhet të duam të vërtetën, të ndjejmë të vërtetën, t’i bindemi të vërtetës, përndryshe nuk kemi me të vërtetë një zemër të paqortueshme në statutet e Perëndisë. A ka shumë njerëz në këto ditë të liga që kanë një zemër të paqortueshme? Oh, shkruesi i këtyre fjalëve dhe lexuesi qofshin që të dy të këtij lloji!
Shumë do të turpërohen në ditën e fundit të madhe kur të gjitha çështjet do të rregullohen. Atëherë ata do shohin çmendurinë e sajesave të tyre dhe do të mbushen me brejtje ndërgjegje për shkak të mosbesimit të tyre krenar dhe ngaqë kanë sfiduar me dashje Zotin, por ai që ka besuar çfarë Zoti mësoi dhe bëri çfarë Zoti urdhëroi do të paraqitet i justifikuar në atë çfarë ka kryer. Atëherë i drejti do të shkëlqejë porsi dielli. Atë ditë, turpi i njerëzve tejet të përgojuar dhe të keqtrajtuar do të kthehet në lavdi. Le të lutemi sipas lutjes së tekstit tonë dhe le të jemi të sigurtë se premtimi i tij do të na përmbushet. Nëse Zoti na bën me një zemër të paqortueshme, Ai do të na ruajë të sigurtë.
20 qershor (Zoti, shoqëruesi ynë)
“Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse Ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.”
{#Psalmi 23:4}
Të ëmbla janë këto fjalë në të përshkruarin e një sigurie në shtratin e vdekjes. Sa shumë njerëz që i kanë përsëritur në orët e fundit me ëndje të madhe! Mirëpo vargu i zbatohet gjithashtu agonive të frymës në mes të jetës. Disa nga ne, ashtu si Pali, vdesin përditë përmes një prirje trishtimi të shpirtit. Buniani e vendos luginën e hijes së vdekjes shumë më herët në pelegrinazhin se sa lumin që rrjedh në rrëzën e kodrave qiellore.
Disa nga ne kanë përshkuar disa herë honin e errët dhe të tmerrshëm të “hijes së vdekjes” dhe mund të japim dëshmi se vetëm Zoti na mundësoi që t’ia dalim mes mendimeve të tij të egra, tmerreve të tij misterioze, depresioneve të tmerrshme. Zoti na ka përkrahur dhe na ka ruajtur përtej çdo frike reale të së ligës, edhe atëherë kur fryma jonë ka qenë e pllakosur. Kemi qenë ngjeshur dhe shtypur, por prapëseprapë kemi jetuar, sepse kemi ndjerë praninë e Bariut të Madh dhe kemi qenë mirëbesues se kërraba e Tij do të parandalojë armikun të na japë ndonjë goditje vdekjeprurëse. Sikur koha e tanishme të errësohej prej krahëve të korbit të një pikëllimi të madh, le të lavdërojmë Perëndinë me anë të një mirëbesimi të qetë në Të.
21 qershor (Lufta e një gruaje)
“Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje.”
{#Gjykatësit 4:9}
Një tekst pak a shumë i pazakonshëm, por ama mund të ketë shpirtra në botë që mund të kenë mjaftueshëm besim për ta mbërthyer atë. Baraku, një burrë, edhe pse i thirrur për në luftë, kishte pak zemër për betejën nëse Debora nuk do të shkonte me të dhe kështu Zoti caktoi ta bënte luftën e një gruaje. Në këtë mënyrë Ai qortoi plogështinë e një burri dhe fitoi për veten e Tij akoma më shumë famë dhe hodhi akoma më shumë turp mbi armiqtë e popullit të Tij.
Zoti mund të përdorë akoma instrumente të dobëta. E pse jo mua? Ai mund të përdorë njerëz që normalisht nuk janë thirrur për përgjegjësi të mëdha publike. E pse jo ti? Gruaja që vrau armikun e Izraelit nuk ishte Amazonë, por një grua që qëndronte në tendën e saj. Ajo nuk ishte oratore, por një grua që milte lopët dhe bënte gjalpë. A nuk mund të përdorë Zoti ndonjërin prej nesh për të përmbushur qëllimin e Tij? Dikush mund të vijë në shtëpi sonte, ashtu si Sisera erdhi në tendën e Jaelit. Le të kujdesemi që të mos ta vrasim atë, por ta shpëtojmë. Le ta presim me dashamirësi të madhe dhe të nxjerrim në dritë të vërtetën e bekuar të shpëtimit me anë të Zotit Jezus, Zëvendësuesit tonë të madh dhe t’i bëjmë të qartë urdhërimin, “Beso dhe jeto.” Kush e di nëse ndonjë mëkatar i ngurtësuar mund të vritet prej ungjillit sot?
22 qershor (Ai me ne, ne me Të)
“Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.”
{#Fjalët e urta 10:27}
Nuk ka dyshim për këtë. Frika e Zotit shpie në zakone virtuoze dhe këto parandalojnë prishjen e jetës që vjen prej mëkatit dhe vesit. Prehja e shenjtë që buron prej besimit në Zotin Jezus ndihmon shumë gjithashtu një njeri kur ai është i sëmurë. Çdo mjek gëzohet të ketë një të sëmurë mendja e të cilit është plotësisht e qetë. Shqetësimi vret, por mirëbesimi në Perëndi është si mjekim shërues. Ne kemi atëherë të gjitha rregullimet për jetë të gjatë dhe nëse është me të vërtetë për të mirën tonë, do të arrijmë një moshë të vjetër të mirë dhe do të vijmë te varret tona si kapicë gruri në kohën e vet.
Le të mos mundemi prej një pritjeje të papritur vdekjeje në çastin kur kemi një dhembje gishti, por përkundrazi më mirë le të presim se mund të kemi për të vazhduar të punojmë edhe për shumë kohë të gjatë akoma. Edhe çfarë atëherë sikur të thirremi për në një sferë më të lartë? Me siguri që nuk do të kishte asgjë pse të na vinte keq nga thirrje të tilla, por kemi çdo gjë për t’u gëzuar prej tyre. Në jetë a në vdekje ne jemi të Zotit. Nëse jetojmë, Jezusi do të jetë me ne; nëse vdesim, do të jemi me Jezusin. Zgjatja e vërtetë e jetës është të jetosh ndërsa ne jetojmë, duke mos humbur kohë, por duke përdorur çdo orë për qëllimet më të larta. Kështu qoftë këtë ditë.
23 qershor (Armiku i mposhtur)
“Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: “Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.”
{#2 Mbretërve 19:32}
Senakiribi nuk mundi dot as të ngasë qytetin. Ai qe mburrur me zhurmë, por nuk mundi dot të jetësojë kërcënimet e tij. Zoti është i aftë të ndalojë armiqtë e popullit të Tij pikërisht në çastin e veprimit të tyre. Kur luani ka qengjin mes nofullave të tij, Bariu i madh i deles mund t’i rrëmbejë prenë. Skajshmëria jonë veçse jep një mundësi për një shfaqje më të madhe pushteti dhe urtësie hyjnore. Në rastin përpara nesh, armiku i egër as nuk u duk përpara qytetit që pati etje ta shkatërronte.
Asnjë shigjetë të rrezikshme ai nuk mundi të hidhte mbi muret dhe asnjë mjet mësymës ai nuk mundi të vërë në punë për të dërrmuar kështjellat dhe asnjë ledh ai nuk mundi të ngrejë për të mbyllur brenda banorët. Ndoshta në rastin tonë gjithashtu, Zoti do të parandalojë kundërshtarët tanë të na shkaktojnë edhe dëmin më të vogël. Me siguri që Ai mund të ndryshojë qëllimet e tyre ose mund t’i kthejë planet e tyre në plane kaq të dështuara sa ata me gëzim do të heqin dorë prej tyre. Le të mirëbesojmë në Zotin dhe le të ruajmë udhën e Tij dhe Ai do të përkujdeset për ne. Po, Ai do të na mbushë me lëvdim të mrekullueshëm teksa shikojmë përkryerjen e çlirimit të Tij. Le të mos kemi frikë armikun dhe le të besojmë te Zoti.
24 qershor (“Më tepër se aq” e Zotit)
“Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: “Por çdo t’i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?” Njeriu i Perëndisë u përgjigj: “Zoti mund të të japë më tepër se aq.”
{#2 Kronikave 25:9}
Nëse keni bërë një gabim, duroni humbjen si pasojë e tij, por mos veproni kundër vullnetit të Zotit. Zoti mund t’ju japë shumë më tepër se ç’mund të humbisni; dhe nëse jo, a do të fillonit të bënit pazare me Perëndinë? Mbreti i Judës pati marrë hua një ushtri prej Izraelit idhujtar dhe iu urdhërua të kthejë mbrapsht burrat luftëtarë ngaqë Zoti nuk ishte me ta. Ai donte të largonte mizërinë, por ama me gjysmë zemre pagoi njëqind talentet për hiç gjë. Oh çfarë turpi! Nëse Zoti do të japë fitoren pa mercenarë, me siguri që ishte një pazar i mirë t’i paguaje atyre rrogën dhe t’i hiqje qafe.
Jini të vullnetshëm të humbisni para për hir të ndërgjegjes, për hir të paqes, për hir të Krishtit. Jini të sigurtë se humbjet për Zotin nuk janë humbje. Edhe në këtë jetë ato janë më shumë se të shpërblyera; në disa raste Zoti parandalon që të ndodhë ndonjë humbje. Përsa i përket jetës sonë të pavdekshme, atë çfarë humbim për Jezusin është e investuar në qiell. Mos e prishni gjakun prej gjëmës në dukje, por dëgjoni pëshpëritjen, “Zoti mund të të japë më tepër se aq.”
25 qershor (Një shkallë për në parajsë)
“Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”
{#Gjoni 1:51}
Po, për besimin tonë kjo pamje është e qartë si drita e diellit edhe në këtë ditë. Ne shikojmë me të vërtetë qiellin të hapur. Jezusi vetë ia ka hapur atë mbretëri të gjithë besimtarëve. Ne vështrojmë te vendi i misterit dhe lavdisë, sepse Ai na e ka zbuluar dhe ne do të hyjmë aty brenda, sepse Ai është rruga. Tani ne kuptojmë domethënien e shkallës së Jakobit. Mes tokës dhe qiellit ka një tregti të shenjtë; lutja ngjitet dhe përgjigjet vijnë poshtë me anë të Jezusit, Ndërmjetësit. Ne shikojmë këtë shkallë atëherë kur shikojmë Zotin tonë. Në Të, një shkallë drite siguron tani një kalim pa pengesë për te froni i Shumë të Lartit.
Le ta përdorim dhe le të dërgojmë nëpërmjet saj korrierët e lutjeve tona. Ne vetë do të jetojmë jetën engjëllore nëse ngjitemi në qiell me ndërmjetësim dhe mbërthejmë bekimet e besëlidhjes dhe më pas zbresim përsëri për të shpërndarë ato dhurata mes bijve të njerëzve. Këtë pamje të përzgjedhur që Jakobi pa vetëm në ëndërr, ne do ta kthejmë në një realitet të ndritshëm. Po këtë ditë, ne do të ngjisim dhe do zbresim shkallën çdo çast; duke u ngjitur në shoqërim dhe duke ardhur poshtë me vepra për të shpëtuar të afërmin tonë. Ky është premtimi Yt o Zoti Jezus, bëj që me gëzim le ta shikojmë të përmbushur.
26 qershor (Nuk do të zgjasë shumë)
“Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja,sepse ardhja e Zotit është afër.”
{#Jakobi 5:8}
Fjala e fundit në Kantikun e dashurisë është, “Eja shpejt, i dashuri im,” dhe mes fjalëve të fundit të Zbulesës ne lexojmë, “Fryma dhe nusja thonë: “Eja”; dhe Dhëndri qiellor i përgjigjet “Po, po vij shpejt.” Dashuria dëshiron me zjarr shfaqjen e lavdishme të Zotit dhe gëzon këtë premtim të ëmbël—”Ardhja e Zotit është afër.” Kjo qetëson mendjet tona përsa i përket të ardhmes. Ne shikojmë jashtë me shpresë përmes kësaj dritareje. Kjo “dritare e shenjtë prej agati” lë të hyjë brenda në të tashmen një rrymë drite dhe na vë në gjendje të mirë për punë të menjëhershme ose vuajtje.
A jemi të sprovuar? Atëherë afërsia e gëzimit tonë pëshpërit për durim. A po lodhemi ngaqë nuk shikojmë korrjen e asaj ç’kemi mbjellë? Përsëri kjo e vërtetë e lavdishme na thërret, “Jini të durueshëm.” A na bëjnë tundimet tona të shumëzuara të paktën që të lëkundemi? Atëherë siguria, se së shpejti Zoti do të jetë këtu, na predikon prej këtij teksti, “Forconi zemrat tuaja.” Jini të fortë, të qëndrueshëm, të palëkundshëm, “të fortë, të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit.” Shpejt do të dëgjoni trumbetat e argjendta që lajmërojnë ardhjen e Mbretit tuaj. Mos kini aspak frikë. Ruani qëndresën, sepse Ai është duke ardhur; po Ai mund të shfaqet po këtë ditë.
27 qershor (Falënderoje dhe bano në praninë e Tij)
“Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin Tënd dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë në praninë Tënde.”
{#Psalmi 140:13}
Oh, qoftë zemra ime e ndershme, që të mund të bekoj gjithmonë emrin e Zotit! Ai është kaq i mirë me ato që janë të mirë sa do të doja me gjithë zemër të jem mes tyre dhe ta ndjej veten plot me falënderim çdo ditë. Ndoshta, për një çast, të drejtët lëkunden kur ndershmëria e tyre ka si rezultat një sprovë të rëndë, por me siguri që dita do të vijë kur ata do të bekojnë Perëndinë e tyre që nuk iu dhanë sugjerimeve të liga dhe nuk adoptuan një vijë hileqare. Në fund njerëzit e vërtetë do të falënderojnë Perëndinë e të drejtës ngaqë i ka udhëhequr ata në një rrugë të drejtë. Oh, qofsha mes tyre!
Çfarë premtimi që është i nënkuptuar në këtë pjesë të dytë, “Njerëzit e ndershëm do të banojnë në praninë Tënde!” Ata do të qëndrojnë të pranuar atje ku të tjerët shfaqen vetëm për t’u dënuar. Ata do të jenë oborrtarët e Mbretit të Madh, të kënaqur me audiencë sa herë që do ta dëshirojnë atë. Ata do të jenë njerëz të favorizuar që Jehovai i fal buzëqeshje dhe me të cilët Ai shoqërohet hirshëm. Zot, e lakmoj fort këtë nder të lartë, këtë privilegj të çmueshëm; do të jetë qiell në tokë për mua ta gëzoj atë. Më bëj në të gjitha gjërat të ndershëm, që të mund sot, nesër dhe çdo ditë të qëndroj në praninë Tënde qiellore. Atëherë do të falënderoj emrin Tënd përherë e më shumë. Amen.
28 qershor (Një shikim prej Zotit)
“Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: “Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Madianit. A nuk jam Unë që po të dërgoj?”
{#Gjykatësit 6:14}
Çfarë shikimi që Zoti i hodhi Gedeonit! Shikimi i Tij e nxori nga dekurajimet e tij dhe e çoi në një trimëri të shenjtë. Nëse shikimi ynë te Zoti na shpëton, çfarë do të na bënte shikimi i Tij te ne? Zot, më shiko këtë ditë dhe më përforco për detyrat dhe konfliktet e saj. Çfarë fjale ishte kjo që Jehovai i foli Gedeonit! “Shko.” Ai nuk duhet të ketë mëdyshje. Ai mund të ishte përgjigjur, “epo, shko me këtë dobësi që ke!” Por Zoti e përjashtoi atë fjalë duke thënë, “shko me këtë fuqi që ke.”
Zoti kishte parë fuqi te ai dhe ky nuk kishte çfarë të bënte gjë tjetër veçse ta përdorte dhe ta shpëtonte Izraelin duke goditur madianitët. Ndoshta Zoti ka më shumë për të bërë me mua se sa kam ëndërruar ndonjëherë. Nëse Ai më ka hedhur shikimin e Tij, atëherë më ka bërë të fortë. Le të ushtroj me besim fuqinë që më ka besuar. Ai nuk më urdhëron kurrë që “të humb kohën kot më këtë fuqi që kam.” Larg qoftë. Duhet të jetë, “shko,” sepse Ai më forcon. Çfarë pyetjeje që Zoti më bën mua ashtu si Gedeonit! “A nuk jam Unë që po të dërgoj?” Po Zot, Ti më ke dërguar dhe unë do të shkoj në fuqinë Tënde. Me urdhrin Tënd shkoj dhe duke shkuar jam i siguruar se Ti do të mposhtësh nëpërmjet meje.
29 qershor (Ftesë për t’u lutur)
“M’u drejto dhe Unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.”
{#Jeremia 33:3}
Perëndia na jep zemër që të lutemi. Thuhet se lutja është një ushtrim i përshpirtshëm që nuk ka asnjë ndikim përveç për mendjen e zënë me të. Ne e dimë më mirë. Përjetimi ynë e ka përgënjeshtruar një mijë herë këtë pohim të paudhë. Këtu Jehovai, Perëndia i gjallë premton qartë t’i përgjigjet lutjes së shërbëtorit të Tij. Le t’i bëjmë thirrje Atij përsëri dhe të mos pranojmë as dhe një dyshim në lidhje me faktin se a na dëgjon vallë ose a na përgjigjet vallë. Ai që bëri veshin, a nuk do të dëgjojë? Ai që i dha prindërve dashuri për fëmijët e tyre, a nuk do të dëgjojë vallë klithmat e vetë bijve dhe bijave të Tij?
Perëndia do t’i përgjigjet popullit të Tij përgjërues në ankthin e tij. Ai ka mrekulli të rezervuara për popullin e Tij. Atë çfarë ata nuk kishin parë, nuk kishin dëgjuar, ose nuk kishin ëndërruar, Ai do ta bëjë për ta. Ai do të shpikë bekime të reja nëse do ishte e nevojshme. Ai do të rrëmojë det e tokë për t’i ushqyer; Ai do të dërgojë prej qiellit çdo engjëll për t’i ardhur në ndihmë, nëse pikëllimi i tyre e kërkon. Ai do të na mahnitë me hirin e Tij dhe do të na bëjë të ndjejmë se nuk kishte ndodhur kurrë më përpara në këtë mënyrë. Gjithçka që Ai kërkon është që ne t’i drejtohemi Atij. Ai nuk mund të kërkojë më pak prej nesh. Menjëherë le t’i kthejmë Atij me gëzim lutjet tona.
30 qershor (E kaluara, më pas e ardhmja)
“Megjithatë do të kujtoj besëlidhjen që lidha me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetshme.”
{#Ezekiel 16:60}
Pavarësisht gjithë mëkateve tona Zoti është akoma besnik në dashurinë e Tij ndaj nesh. Ai shikon në të kaluarën. Shiko se si Ai sjell në mendje ato ditët tona të hershme kur na futi në besëlidhje me veten e Tij dhe ne ia dorëzuam veten Atij. Ditë të lumtura ato! Zoti nuk na akuzon për to dhe nuk na akuzon se kemi qenë të pasinqertë. Jo, Ai shikon besëlidhjen e Tij me ne se sa besëlidhjen tonë me Të. Sido që të jetë nuk kishte hipokrizi nga ana e Tij në atë pakt të shenjtë. Sa i hirshëm që është Zoti të shikojë kështu mbrapa në të kaluarën me dashuri!
Ai shikon në të ardhmen gjithashtu. Ai është i vendosur që besëlidhja të mos dështojë. Nëse nuk e ruajmë atë, Ai do ta ruajë. Ai deklaron solemnisht, “do të lidh me ty një besëlidhje të përjetshme.” Ai nuk ka ndërmend të tërhiqet prej premtimeve të Tij. Bekuar qoftë emri i Tij, Ai shikon vulën e Tij të shenjtë, “gjakun e besëlidhjes së përjetshme,” dhe kujton Sigurinë tonë në të Cilin ratifikoi atë besëlidhje, domethënë vetë Birin e Tij të shtrenjtë; dhe prandaj Ai nuk largohet prej zotimeve të besëlidhjes së Tij. “Ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.” O Zot, vëre këtë fjalë të çmuar në zemrën time dhe më ndihmo të ushqehem me të gjithë këtë ditë!