1 shtator (Qëndrim në bindje dhe në dashuri)
“Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time.”
{#Gjoni 15:10}
Këto gjëra nuk mund të ndahen—të qëndrosh në bindje dhe të qëndrosh në dashurinë e Jezusit. Vetëm një jetë nën sundimin e Krishtit mund të provojë se i sjellim ëndje Zotit. Ne duhet të zbatojmë urdhërimet e Zotit tonë nëse do të donim të prehemi në dashurinë e Tij. Nëse jetojmë në mëkat nuk mund të jetojmë në dashurinë e Krishtit. Pa shenjtërinë që i pëlqen Perëndisë, ne nuk mund t’i pëlqejmë Jezusit. Ai që nuk e vret mendjen për shenjtërinë nuk di asgjë në lidhje me dashurinë e Jezusit.
Gëzimi i ndërgjegjshëm i dashurisë së Zotit tonë është një gjë delikate. Është shumë më i ndjeshëm ndaj mëkatit dhe shenjtërisë se sa merkuri është ndaj të ftohtit dhe të nxehtit. Kur jemi të butë në zemër dhe të kujdesshëm në mendim, fjalë dhe jetë për të nderuar Zotin tonë Jezus, atëherë marrim dëshmi pa kufi të dashurisë së Tij. Nëse dëshirojmë të përjetësojmë të tillë lumni duhet që të përjetësojmë shenjtërinë.
Zoti Jezus nuk do të na fshehë fytyrën e Tij nëse ne nuk ia fshehim fytyrën tonë. Mëkati krijon renë që errëson Diellin tonë: nëse do të jemi me vëmendje të bindur dhe tërësisht të përkushtuar, atëherë do të ecim në dritë, ashtu si Perëndia është në dritë dhe do të kemi një qëndrim po aq të sigurtë në dashurinë e Jezusit sa kishte Jezusi në dashurinë e Atit. Këtu ka një premtim të ëmbël me një “po.” Zot, më bëj që të kem këtë “po” në dorën time, sepse ashtu si një çelës ai hap këtë peshtaf.
2 shtator (Ndiq për të njohur)
“E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë.”
{#Osea 6:3}
Jo gjithçka menjëherë, por shkallë shkallë do të fitojmë njohuri të shenjtë dhe puna jonë është të këmbëngulim dhe të mësojmë pak nga pak. Nuk kemi pse të dëshpërohemi, edhe sikur progresi ynë të jetë i ngadaltë, sepse do të vazhdojmë të njohim më shumë. Zoti që është bërë mësuesi ynë, nuk do të heqë dorë, sado të ngadaltë të jemi në kuptimin tonë, sepse nuk është për nderin e Tij që çfarë do mase e çmendurisë njerëzore të mund të pengojë aftësinë e Tij. Zoti ka ëndje ta bëjë të thjeshtin të urtë.
Detyra jonë është të qëndrojmë në atë që është thelbi dhe të vazhdojmë të njohim, jo këtë ose atë doktrinë të veçantë, por vetë Jehovain. Të njohësh Atin, Birin dhe Frymën, Perëndinë Trini, kjo është jetë e përjetshme: le ta mbajmë këtë, sepse në këtë mënyrë do të fitojmë mësim të plotë. Duke vazhduar të njohim Zotin, ne mësojmë shërimin mbas lëndimit, mjekimin pas goditjes dhe jetën mbas vdekjes. Përjetimi bën veprën e tij të përkryer kur zemra ndjek udhën e Zotit Të Plotfuqishëm.
Shpirti im, rri afër me Jezusin, vazhdo të njohësh Perëndinë në Jezus dhe kështu do të arrish njohjen e Krishtit, që është shkenca më e shkëlqyeshme e të gjitha shkencave. Fryma e Shenjtë do të të udhëheqë në të gjithë të vërtetën. A nuk është kjo detyra e Tij e hirshme? Mbështetu te Ai për përmbushjen e saj.
3 shtator (Jashtë prej vdekjes shpirtërore)
“Do të pranoni që Unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im.”
{#Ezekiel 37:13}
Me të vërtetë që duhet të jetë kështu: ata që ishin të vdekur dhe marrin jetë, me siguri që do të njohin dorën e Zotit në një ringjallje të tillë. Ky është ndryshimi më i madh dhe më i jashtëzakonshëm nga të gjitha ndryshimet që një njeri mund të përjetojë—të sillet jashtë prej varrit të vdekjes shpirtërore dhe të bëhet të gëzohet në dritën dhe lirinë e jetës shpirtërore. Askush nuk mund të kryejë këtë përveçse Perëndia i gjallë dhe dhënësi i jetës. Ah unë! Sa mirë që e mbaj mend kur dergjesha në luginën plot me kocka të thata, po aq i thatë sa secila prej tyre! Bekuar dita kur hiri falas dhe sovran dërguan njeriun e Perëndisë për të më predikuar! Lavdi Perëndisë për trazimin që fjala e besimit shkaktoi mes kockave të thata.
Akoma më e bekuar ishte fryma qiellore prej katër erërave që më bëri të gjallë! Tani unë e njoh Frymën ngjallëse të Jehovait të pavdekshëm. Me të vërtetë që Jehovai është Perëndia i gjallë, sepse Ai më ngjalli. Jeta ime e re madje edhe në lëngimet dhe trishtimet e saj është provë e qartë për mua se Zoti mund të vrasë dhe mund të ngjallë. Ai është i vetmi Perëndi. Ai është gjithçka që është e mrekullueshme, e hirshme dhe e lavdishme dhe shpirti im i ngjallur e adhuron si UNE JAM-i i madh. E gjithë lavdia qoftë për emrin e Tij të shenjtë! Për aq gjatë sa jetoj do ta lëvdoj Atë.
4 shtator (Fitore pa betejë)
“Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t’i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t’i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit.”
{#Osea 1:7}
Fjalë e çmuar! Vetë Perëndia do të çlirojë popullin e Tij në madhërinë e mëshirës së Tij, por Ai nuk do të bëjë këtë me anë mjetesh të zakonshme. Njerëzit janë të ngadaltë t’i japin Perëndisë lavdinë që i takon emrit të Tij. Nëse shkojnë në betejë me shpatë e hark dhe korrin fitore, ata duhet që të lëvdojnë Perëndinë e tyre; prapëseprapë nuk e bëjnë një gjë të tillë, por fillojnë të madhërojnë vetë krahun e tyre të djathtë dhe lavdërohen në kuajt dhe kalorësit e tyre. Për këtë arsye Jehovai ynë shpesh cakton të shpëtojë njerëzit e Tij pa mjete dytësore me qëllim që i gjithë nderi të jetë vetëm për Të.
Shiko pra, zemra ime, vetëm te Zoti dhe jo te njeriu. Prit të shikosh Perëndinë gjithnjë e më qartë kur nuk ka njeri tjetër për të parë. Nëse nuk kam asnjë mik, asnjë këshilltar, asnjë që më mbështet, le të mos jem më pak mirëbesues nëse mund të ndjej se vetë Zoti është në anën time; po, le të jem i ngazëllyer nëse Ai jep fitore pa betejë, ashtu si teksti duket se nënkupton. Pse kërkoj për kuaj dhe kalorës nëse vetë Jehovai ka mëshirë për mua dhe ngre krahun e Tij për mbrojtjen time? E pse do të kisha nevojë për një hark a shpatë nëse Perëndia do të japë shpëtimin? Le të kem mirëbesim dhe mos të kem frikë, që prej kësaj dite e përgjithmonë. Amen.
5 shtator (Me mua kudo që ndodhem)
“Zoti është me ju.”
{#2 Kronikave 20:17}
Kjo ishte një mëshirë e madhe për Jozafatin, sepse një mizëri e madhe kishte dalë kundra tij; dhe do të jetë një mëshirë e madhe për mua, sepse kam nevojë të madhe dhe nuk kam as fuqi as urtësi. Nëse Zoti është me mua, pak rëndësi ka se kush mund të më braktisë. Nëse Zoti është me mua, do të fitoj në betejën e jetës dhe sa më të mëdha sprovat e mia aq më e lavdishme do të jetë fitorja ime. Si mund të jem i sigurtë se Zoti është me mua?
Me siguri që Ai është me mua nëse jam me Të. Nëse kam besim në besnikërinë e Tij, besoj fjalët e Tij dhe i bindem urdhërimeve të Tij, me siguri që Ai është me mua. Nëse jam në anën e satanait Perëndia është kundra meje dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, por nëse jetoj për të nderuar Perëndinë mund të jem i sigurtë se Ai do të më nderojë. Jam më se i sigurtë se Perëndia është me mua nëse Jezusi është shpëtimtari im i vetëm. Nëse e kam vendosur shpirtin tim në duart e të Vetëmlindurit të Perëndisë, atëherë mund të jem i sigurtë se Ati do të shfaqë të gjithë fuqinë e Tij për të më ruajtur, me qëllim që Biri i Tij të mos çnderohet. Oh paçim besim për të mbërthyer tekstin e shkurtër, por të ëmbël të ditës së sotme! O Zot, përmbush këtë fjalë për shërbëtorin tënd! Ji me mua në shtëpi, në rrugë, në arë, në dyqan, në shoqëri dhe kur jam vetëm. Ji gjithashtu me gjithë njerëzit e Tu.
6 shtator (Një zemër e fortë)
“Ki besim të madh te Zoti (prit në Zotin); ji i fortë, ki zemër (Ai do të forcojë zemrën tënde); ki besim të madh te Zoti.”
{#Psalmi 27:14}
Prit! Prit! Prit në Zotin! Ai ia vlen pritjen. Ai kurrë nuk e zhgënjen shpirtin pritës. Ndërsa duke pritur mbani lart frymët tuaja. Prisni një çlirim të madh dhe jini gati të lëvdoni Perëndinë. Premtimi që duhet t’ju gëzojë është në mes të vargut—”Ai do forcojë zemrën Tënde.” Kjo shkon menjëherë në vendin ku ke nevojë për ndihmë. Nëse zemra është e shëndoshë, pjesa tjetër e sistemit do të punojë mirë. Zemra do qetësim dhe gëzim dhe të dyja këto do të vijnë nëse ajo forcohet. Një zemër e fortë prehet dhe gëzohet dhe pulson forcë në të gjithë njeriun.
Asnjë tjetër nuk mund të arrijë në atë burim të fshehtë të jetës, zemra, aq sa të derdhë forcë në të. Vetëm Ai që e krijoi atë mund ta bëjë të fortë. Perëndia është plot me forcë dhe prandaj Ai mund t’ia përçojë atyre që kanë nevojë për të. Oh, jini trima, sepse Zoti do t’ju përcjellë forcën e Tij dhe do të jeni të qetë në stuhi dhe të lumtur në trishtim. Ai që shkroi këto rreshta mund të shkruajë ashtu si Davidi—”Ki besim të madh te Zoti.” Unë e them me të vërtetë këtë. E di nëpërmjet përvojës së gjatë dhe të thellë se është mirë për mua të pres në Zotin.
7 shtator (Arritja e Hirit të Plotfuqishëm)
“Dhe do të ndodhë që në vend që t’u thuhet atyre: “Ju nuk jeni populli im”, do t’u thuhet atyre: “Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë.”
{#Osea 1:10}
Hiri sovran mund t’i bëjë të huajt bij dhe Zoti këtu deklaron qëllimin e Tij për t’u sjellë kështu me rebelët dhe t’i bëjë atyre të njohin se çfarë Ai ka bërë. Lexues i dashur, Zoti e ka bërë këtë në rastin tim; a ka bërë të njëjtën gjë për ty? Atëherë le të bashkojmë duart dhe zemrat duke lëvduar emrin e Tij të adhurueshëm. Disa nga ne ishin kaq me vendosmëri të papërshpirtshëm sa Fjala e Zotit me shumë vërtetësi i tha ndërgjegjes dhe zemrës sonë, “Ju nuk jeni populli im.”
Në shtëpinë e Perëndisë dhe në shtëpitë tona, kur lexojmë Biblën, ky ishte zëri i Frymës së Perëndisë në shpirtrat tanë, “Ju nuk jeni populli im.” Me të vërtetë që ishte trishtueshëm një zë dënues. Mirëpo tani, në të njëjtat vende, prej së njëjtës shërbesë dhe të njëjtit Shkrim, ne dëgjojmë një zë që thotë, “Ju jeni bijtë e Perëndisë së gjallë.” A mund të jemi mirënjohës aq sa duhet për këtë? A nuk është e mrekullueshme? A nuk na jep shpresë për të tjerët? Kush është përtej arritjes së hirit të fuqishëm? Si mund të dëshpërohemi për ndonjërin përderisa Zoti ka kryer një ndryshim kaq të mrekullueshëm përbrenda nesh? Ai që ka mbajtur këtë premtim të madh do të mbajë çdo premtim tjetër; prandaj, le të shkojmë përpara me këngë adhurimi dhe mirëbesimi.
8 shtator (I thyer dhe tymues)
“Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym.”
{#Isaia 42:3}
Atëherë mund të kem besim për trajtimin e butë nga Zoti im. Me të vërtetë, e ndjej veten se jam të paktën po aq i dobët, po aq i përkulshëm, po aq i pavlerë sa një kallam. Dikush tha, “Ti vlen për mua sa një kallam”; dhe këto fjalë sado të pakëndshme nuk ishin të pavërteta. Sa keq! Jam më keq se një kallam kur rritet afër lumit, sepse të paktën ai mund të ngrejë kokën lart. Jam i thyer, i thyer rëndë dhe për të ardhur keq. Nuk ka melodi brenda meje tani; ka një të çarë që lë të dalë jashtë të gjithë melodinë. Ah, i shkreti unë! Prapëseprapë Jezusi nuk do të më copëtojë; dhe nëse Ai nuk do ta bëjë këtë, atëherë nuk dua t’ia di çfarë përpiqen të bëjnë të tjerët.
O Zot i ëmbël dhe zemërdhembshur, tulatem nën mbrojtjen tënde dhe harroj thyerjet e mia! Me të vërtetë që jam gjithashtu i përshtatshëm për t’u ngjasuar me “kandilin që bën tym,” që i ka ikur drita dhe që i mbetet vetëm tym. Kam frikë se jam më tepër një bezdi sesa sjell dobi. Frikërat e mia më thonë se djalli ka shuar dritën time dhe më ka kthyer në një tym të papëlqyeshëm dhe se Zoti im edhe pak dhe do të më fikë. Prapëseprapë dalloj se edhe pse në ligj kishte masha për qirinjtë prapëseprapë nuk kishte fikës; dhe Jezusi nuk do të më shuajë; prandaj jam me shpresë. Zot, më ndiz përsëri dhe më bëj që të ndriçoj për lavdinë Tënde dhe për madhërimin e butësisë Tënde.
9 shtator (Frika e Zotit, e domosdoshme)
“Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti.”
{#Fjalët e urta 28:14}
Frika e Zotit është fillimi dhe themeli i çdo feje të vërtetë. Pa një tmerr dhe adhurim solemn ndaj Perëndisë nuk ka pikëmbështetje edhe për virtytet më të shkëlqyera. Ai shpirti i të cilit nuk adhuron nuk do të jetojë kurrë në shenjtëri. Lum ai që ndjen një frikë xheloze kur bën gabim. Frika e shenjtë shikon jo vetëm përpara se të kërcejë, por edhe përpara se të lëvizë. Druan gabimin, druan detyrën e lënë pas dore, druan kryerjen e mëkatit. Ka frikë shoqërinë e keqe, të folurin e shthurur dhe vijëveprimin e dyshimtë. Kjo nuk e bën njeriun të gjorë, por i sjell atij lumturi.
Roja vrojtues është më i lumtur se ushtari në detyrë që fle. Ai që parasheh të ligën dhe i shpëton asaj është më i lumtur se ai që ecën përpara pa kujdes dhe shkatërrohet. Frika e Perëndisë është një hir i paqshëm që udhëheq një njeri përgjatë një rruge të përzgjedhur, për të cilën është shkruar, “Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket.” Frika edhe e dukjes së të ligës është një parim pastrues, që e mundëson një njeri, përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, të ruajë rrobat e tij të panjollosura prej botës. Në të dyja kuptimet ai që “ka frikë vazhdimisht” bëhet i lumtur. Solomoni pati provuar si botën ashtu dhe frikën e shenjtë: në të parën ai gjeti kotësi, në tjetrën lumturi. Le të mos e përsërisim provën e tij, por le t’i përmbahemi gjykimit të tij.
10 shtator (I bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del)
“Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.”
{#Ligji i përtërirë 28:6}
Bekimet e ligjit nuk janë anuluar. Jezusi konfirmoi premtimin kur mbajti dënimin. Nëse ruaj urdhërimet e Zotit tim, mund ta përvetësoj pa dyshim këtë premtim. Këtë ditë do të hyj në shtëpinë time pa frikën e lajmeve të këqija dhe do të hyj në dhomën time duke pritur se do të dëgjoj lajme të mira prej Zotit tim. Nuk do të kem frikë të hyj në veten time me anë të vetë-ekzaminimit, as të hyj në punët e mia me anë të një inspektimi të zellshëm. Kam goxha punë për të bërë brenda, përbrenda vetë shpirtit tim; oh marrsha një bekim, bekimin e Zotit Jezus që ka premtuar të qëndrojë me mua.
Më duhet të dal jashtë gjithashtu. Ndrojtja më bën të dëshiroj që të mund të qëndroj brenda dyerve dhe të mos shkoj më kurrë përsëri në botën e mëkatshme. Mirëpo më duhet të dal në thirrjen time dhe më duhet të dal që të mund të ndihmoj vëllezërit e mi dhe të jem i dobishëm për të papërshpirtshmit. Duhet të jem një mbrojtës i besimit dhe një mësymës i të ligës. Oh, marrsha një bekim në daljen time këtë ditë! Zot, më lër të shkoj atje ku Ti udhëheq, me porosinë Tënde dhe në fuqinë e Frymës Tënde. Zoti Jezus, eja përbrenda meje dhe ji miku im; dhe më pas dil me mua dhe bëje zemrën time të digjet përbrenda ndërsa Ti më flet gjatë rrugës.
11 shtator (Besimtarët e vuajtur bëhen besimtarë të fortë)
“Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.”
{#Vajtimet 3:27}
Kjo gjë është po aq e mirë sa një premtim. Ka qenë gjë e mirë, është gjë e mirë dhe do të jetë gjë e mirë për mua të mbaj zgjedhën. Herët në jetë m’u desh të ndjeja peshën e bindjes dhe që atëherë ka dalë të jetë një barrë shpirt-pasuruese. A do ta kisha dashur ungjillin kaq shumë po të mos kisha mësuar përmes përjetimit të thellë nevojshmërinë e shpëtimit nëpërmjet hirit? Jabezi ishte më i nderuar se vëllezërit e tij sepse nëna e tij e lindi me trishtim dhe ata që vuajnë shumë teksa lindin në Perëndinë dalin besimtarë të fortë në hirin sovran.
Zgjedha e kundërshtimit është një zgjedhë e lodhshme, por ajo e përgatit një njeri për nder të ardhshëm. Nuk është i përshtatshëm të jetë udhëheqës ai që nuk ka hequr prej përçmimit. Lëvdimi helmon nëse nuk paraprihet prej abuzimit. Njerëzit që ngrihen lart pa betejë zakonisht bien në çnderim. Zgjedha e pikëllimit, e pakënaqësisë dhe e mundit të tepërm nuk duhet të kërkohet në asnjë mënyrë, por kur Zoti e vë mbi ne në rininë tonë ajo shpesh zhvillon një karakter që lavdëron Perëndinë dhe bekon kishën. Eja shpirti im, përkul qafën; merr kryqin. Ishte mirë për ty kur ishe i ri dhe nuk do të të dëmtojë tani. Për hir të Jezusit, merre përsipër me gëzim.
12 shtator (Po shtëpia ime?)
“Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote.”
{#Veprat 16:31}
Ky ungjill për një njeri me një shpatë në grykën e tij është ungjilli për mua. Kjo do të ishte e përshtatshme për mua sikur të isha duke vdekur dhe është gjithçka që kam nevojë ndërsa jam duke jetuar. Shikoj tutje prej vetes sime, mëkatit dhe prej çdo ideje merite vetjake dhe i besoj Zotit Jezus si Shpëtimtari që Perëndia ka dhënë. Besoj në Të, prehem në Të, e pranoj Atë të jetë gjithçkaja ime në gjithçka. Zot, jam i shpëtuar dhe do të shpëtohem përjetë, sepse besoj në Jezus. Bekuar qoftë emri yt për këtë. E provofsha përditë nëpërmjet jetës sime se jam i shpëtuar prej egoizmit dhe gjërave të botës dhe prej çdo forme ligësie.
Por ato fjalë të fundit në lidhje me “shtëpinë time”: Zot, nuk do të doja të largohesha me një gjysmë premtim ndërkohë që Ti jep një të tërë. Të përgjërohem, shpëto të gjithë familjen time. Shpëto më të afërmin dhe më të shtrenjtin. Kthe në besim fëmijët, nipërit dhe mbesat, nëse kam ndonjë. Ji i hirshëm ndaj shërbëtorëve të mi dhe ndaj gjithë atyre që banojnë nën çatinë time ose që punojnë për mua. Ti ma bën mua këtë premtim personalisht nëse besoj në Zotin Jezus; të përgjërohem që të bësh ashtu si ke thënë. Do të doja të përsërisja çdo ditë në lutjet e mia emrat e gjithë vëllezërve dhe motrave, prindërve, fëmijëve, miqve, kushërinjve, shërbëtorëve dhe të mos të të lejoja të pushosh derisa kjo fjalë të përmbushet, “dhe shtëpia jote.”
13 shtator (Vesa e qiellit)
“Qielli i tij do të japë vesë.”
{#Ligji i përtërirë 33:28}
Ajo çfarë vesa në Lindje është në botën e natyrës, kjo është ndikimi i Frymës në botën e hirit. Sa shumë që kam nevojë për të! Pa Frymën e Perëndisë jam një gjë e thatë dhe e vyshkur. Lëshohem, fishkem, vdes. Sa ëmbël që kjo vesë më freskon! Kur favorizohem me të, ndjehem i lumtur, i gjallë, i fuqishëm, i ngritur. Nuk dua asgjë më shumë. Fryma e Shenjtë më sjell jetë dhe gjithçka që kërkon jeta. Gjithçka tjetër pa vesën e Frymës është më pak se asgjë për mua: dëgjoj, lexoj, lutem, këndoj dhe shkoj në tryezën e shoqërimit dhe nuk gjej asnjë bekim aty nëse Fryma e Shenjtë nuk më viziton.
Mirëpo kur Fryma më veson, çdo mjet hiri është për mua i ëmbël dhe i përfitueshëm. Çfarë premtimi që është ky! “Qielli i tij do të japë vesë.” Do të vizitohem me hir. Nuk do të lihem në thatësirën time natyrore ose në të nxehtin djegës të botës, ose në shirokun e tundimit satanik. Oh, ndjefsha pikërisht në këtë orë vesën e butë, të pazhurmë, ngopëse të Zoti! E pse jo? Ai që më ka bërë të jetoj ashtu si bari jeton në lëndinë, do të më trajtojë ashtu si trajton barin: Ai do më freskojë prej së larti. Bari nuk mund të thërrasë për vesë ashtu si unë. Me siguri, Zoti që viziton bimën që nuk lutet, do t’i përgjigjet fëmijës së Tij përgjërues.
14 shtator (Shenjë aprovimi hyjnor)
“Lum ai njeri që këmbëngul në sprova, sepse sapo t’i kapërcejë ato, do të marrë kurorën e jetës,të cilën Ai ua ka premtuar atyre që e duan.”
{#Jakobi 1:12}
Po, është i bekuar ai që duron sprovën. Asnjë sy nuk mund të shikojë këtë derisa ka qenë vajosur me kolir qiellor. Por ai duhet ta durojë atë dhe as nuk duhet të rebelohet kundra Perëndisë as të kthehet mënjanë prej ndershmërisë së tij. Është i bekuar ai që ka kaluar përmes zjarrit dhe nuk është konsumuar si një fals. Kur testi ka mbaruar, më pas vjen vula e aprovimit hyjnor—”kurora e jetës.” Njësoj sikur Zoti të thoshte, “Lëre të jetojë; është peshuar dhe nuk i mungon gjë.” Jeta është shpërblimi: jo thjesht qenia, por ekzistencë e shenjtë, e lumtur, e vërtetë, realizimi i qëllimit hyjnor në lidhje me ne.
Që tani një formë më e lartë jete dhe gëzimi shpirtëror kurorëzon ata që kanë kaluar pa dëm përmes sprovave më të egra të besimit dhe dashurisë. Zoti i ka premtuar kurorën e jetës atyre që e duan. Vetëm dashuruesit e Zotit do të mbijetojnë në orën e sprovës; pjesa tjetër ose do të zhytet ose do të zymtohet ose do të kthehet te bota. Eja zemra ime, a e do Zotin tënd? Me të vërtetë? Thellë? Tërësisht? Atëherë kjo dashuri do të vihet në provë, por shumë ujëra nuk do ta shuajnë atë as lumenjtë nuk do ta përmbytin dot. Zot, le të ushqejë dashuria Jote dashurinë time deri në fund.
15 shtator (Streha më e sigurtë)
“Secili prej tyre (një njeri) do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit.”
{#Isaia 32:2}
Se kush është ky njeri ne e dimë të gjithë. Kush mund të jetë përveçse Njeriu i Dytë, Zoti prej qiellit, Njeriu i pikëllimeve, Biri i njeriut? Çfarë mbrojtje ka qenë Ai për popullin e Tij! Ai zotëron forcën e plotë të vetë erës dhe kështu Ai strehon ata që e fshehin veten në Të. Ne i kemi shpëtuar kështu zemërimit të Perëndisë dhe do t’i shpëtojmë kështu pezmatimit të njerëzve, shqetësimeve të kësaj jete dhe tmerrit të vdekjes. Pse qëndrojmë në erë kur me shumë gatishmëri dhe siguri ne mund të dalim jashtë prej saj duke u fshehur mbas Zotit tonë? Le të vrapojmë këtë ditë tek Ai dhe le të jemi në paqe.
Shpesh era e zakonshme e trazirës ngrihet në forcën e saj dhe bëhet një stuhi, duke fshirë çdo gjë përpara saj. Gjërat që dukeshin të qëndrueshme dhe me stabilitet shkunden në shakullinë dhe rëniet mes mirëbesimeve tona mishore janë të shumta dhe të mëdha. Zoti ynë Jezus, Njeriu i lavdishëm është një strehë që nuk shkatërrohet kurrë. Në Të ne vëmë re stuhinë duke kaluar me shpejtësi, por ne vetë prehemi në qetësi të ëndshme. Këtë ditë le të ngjishemi në vendin tonë të fshehjes dhe të ulemi dhe të këndojmë nën mbrojtjen e strehës sonë. Jezus i bekuar! Jezus i bekuar! Sa shumë që të duam! Me të drejtë, sepse Ti je për ne një strehë në kohën e furtunës.
16 shtator (Shpërblimi është i sigurtë)
“Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij”.
{#Mateu 10:42}
Medoemos mund ta bëj kaq. Mund të bëj një veprim të dashur ndaj shërbyesve të Zotit. Zoti e di se i dua ata të gjithë dhe do ta quaja një nder të laja këmbët e tyre. Për hir të Mësuesit të tyre i dua dishepujt. Sa e hirshme nga ana e Zotit të përmendë një veprim kaq të vogël—”të jap për të pirë vetëm një kupë ujë të ftohtë”! Këtë mund ta bëj, sado i varfër; këtë duhet ta bëj, sado i përulur; këtë do ta bëj me shumë gëzim. Këtë që duket kaq e vogël, Zoti e vë re—e vë re kur bëhet për më të voglin e ndjekësve të Tij.
Sigurisht që nuk është kostoja, as aftësia, as cilësia që Ai shikon, por motivin, atë që bëjmë për një dishepull, ngaqë është një dishepull, Zoti i tij e vë re dhe shpërblen. Ai nuk na shpërblen për meritën e asaj që bëjmë, por sipas pasurive të hirit të Tij. Jap një kupë ujë të ftohtë dhe më bën të pi ujë të gjallë. I jap një prej të vegjëlve të Tij dhe Ai më trajton si një prej tyre. Jezusi gjen një arsyetim për dhuratën e Tij në atë që hiri i Tij më ka udhëhequr të bëj dhe Ai thotë, “ai nuk do ta humbë aspak shpërblimin e tij.”
17 shtator (Ashtu si palma dhe kedri)
“I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.”
{#Psalmi 92:12}
Pema e palmës nuk drejtohet as krasitet prej njeriut: palmat dhe kedrat janë “pemë të Zotit,” dhe është nëpërmjet kujdesit të Tij që ato lulëzojnë; po ashtu është me shenjtorët e Zotit, ata janë nën kujdesin e Zotit. Këto pemë janë përherë të gjelbra dhe janë objekte të bukura në të gjitha stinët e vitit. Besimtarët nuk janë ndonjëherë të shenjtë dhe ndonjëherë të paperëndishëm: ata qëndrojnë në bukurinë e Zotit sido që të bëjë koha. Kudo këto pemë bien në sy: asnjë nuk mund të vështrojë një peizazh ku ka ose palma ose kedra pa pasur vëmendjen të fiksuar mbi këto pemë mbretërore.
Ndjekësit e Jezusit janë të vëzhguarit e vëzhguesve: ashtu si një qytet i vendosur mbi një kodër ata nuk mund të fshihen. Fëmija i Perëndisë lulëzon ashtu si një palmë, që e shpie të gjithë forcën e saj së larti në një kolonë të ngritur pa as dhe një degë të vetme. Është një shtyllë me një krenajë të lavdishme. Nuk ka as degë në të djathtë as në të majtë, por e dërgon të gjithë forcën e saj drejt qiellit dhe i mban frytet e saj aq afër qiellit sa është e mundur. Zot, përmbush këtë shëmbëlltyrë për mua. Kedri i bën ballë çdo stuhie dhe rritet afër borërave të përjetshme, vetë Zoti duke e mbushur me një limfë që e ruan zemrën e tij të ngrohtë dhe degët e tij të forta. Zot, kështu le të jetë me mua, të lutem. Amen.
18 shtator (Siguri e plotë)
“Përsa i përket Beniaminit, ai tha: “I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë Tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e Tij.”
{#Ligji i përtërirë 33:12}
Po, nuk ka siguri si ajo që vjen prej banimit afër Perëndisë. Për të dashurit e Tij të zgjedhur Zoti nuk mund të gjejë një vend më të sigurtë se ky. O Zot, le të qëndroj përherë nën hijen Tënde, shumë afër me anën Tënde të plagosur. Më afër akoma do të doja të vija te Ty, Zoti im dhe kur të jem njëherë e mirë veçanërisht afër Teje, do të doja të qëndroja atje përherë. Çfarë mbulimi që është ai që i jep Zoti të zgjedhurit të Tij! Nuk do të mbulohet as nga ndonjë çati e bukur, as nga ndonjë bunker as nga krahu i një engjëlli, por nga vetë Jehovai.
Asgjë nuk mund të na ndodhë kur jemi të mbuluar kështu. Këtë mbulim Zoti do të na e japë përgjatë gjithë ditës, sado e gjatë qoftë. Zot, le të qëndroj ndërgjegjshëm këtë ditë nën këtë tendë dashurie, nën këtë pavijon fuqie sovrane. A do të thotë fjalia e tretë se Zoti në tempullin e Tij do të banojë mes maleve të Beniaminit ose se Zoti do të jetë atje ku do të vendoset barra e Beniaminit, apo do të thotë se ne mbahemi mbi shpatullat e të Përjetshmit? Sido që të jetë, Zoti është mbështetja dhe forca e shenjtorëve të Tij. Zot, le të gëzoj përherë ndihmën Tënde dhe atëherë krahët e mi do të më mjaftojnë.
19 shtator (Arsyeja për të kënduar)
“Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e Tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.”
{#Sofonia 3:17}
Çfarë fjale që është kjo! Jehovah Perëndi në qendër të njerëzve të Tij në gjithë madhështinë e fuqisë së Tij! Vetëm kjo prani na mjafton për të na frymëzuar me paqe dhe shpresë. Thesare fuqie të pakufishme ruhen në Jehovain tonë dhe Ai banon në kishën e Tij, prandaj le të gëzohen njerëzit e Tij me britma gëzimi. Ne jo vetëm që kemi praninë e Tij, por Ai është zotuar në veprën e Tij të zgjedhur të shpëtimit. “Ai shpëton.” Ai është gjithmonë duke shpëtuar, prandaj dhe është quajtur Jezus. Le të mos kemi frikë asnjë rrezik, sepse Ai është i fuqishëm për të shpëtuar.
Mirëpo kjo nuk është e gjitha. Ai qëndron përherë i njëjti; Ai do, gjen prehje në dashurinë, Ai nuk do të reshtë të dojë. Dashuria e Tij i jep Atij gëzim. Ai madje gjen një temë kënge në të dashurit e Tij. Kjo është tepër e mrekullueshme. Kur Perëndia kreu krijimin Ai nuk këndoi, por thjesht tha, “Kjo është mirë”, por kur i erdhi radha shpëtimit, atëherë Triniteti i Shenjtë ndjeu një gëzim që shprehej vetëm me këngë. Mendoni për këtë dhe mbesni gojë hapur! Jehovah Jezus këndon një këngë martese për nusen e Tij të zgjedhur. Ajo është për Të dashuria e Tij, gëzimi i Tij, prehja e Tij, kënga e Tij. O Zot Jezus, me anë të dashurisë Tënde të pamasë për ne na mëso të të duam, të gëzohemi në Ty dhe të të këndojmë psalmin tonë të një jete.
20 shtator (Vullnet i përkryer)
“Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit Tënd.”
{#Psalmi 110:3}
Bekuar qoftë Perëndia i hirit që është kështu! Ai ka një popull që ka zgjedhur që prej kohëve të vjetra për të qenë risku i Tij i posaçëm. Këta prej natyre kanë vullnete po aq kokëfortë sa pjesa tjetër e bijve kryeneçë të Adamit, por kur dita e pushtetit së Tij vjen dhe hiri shfaq plotfuqinë e tij, ata bëhen të vullnetshëm për t’u penduar dhe për të besuar në Jezusin. Askush nuk shpëtohet në mënyrë të pavullnetshme, por vullneti bëhet i shtruar për ta dhënë veten. Çfarë fuqie e mrekullueshme që është kjo, që nuk dhunon kurrë vullnetin dhe prapëseprapë e sundon atë! Perëndia nuk e thyen kyçin, por e hap atë me anë të një çelësi që vetëm Ai mund ta përdorë.
Tani ne jemi të vullnetshëm për të qenë, për të bërë, ose të vuajmë ashtu si do Zoti. Nëse ndonjëherë ne bëhemi rebelë Ai nuk ka veçse për të ardhur te ne me fuqi dhe menjëherë ne vrapojmë drejt e te rruga e urdhërimeve të Tij me gjithë zemrën tonë. Qoftë kjo një ditë fuqie për mua përsa i përket ndonjë përpjekjeje fisnike për lavdinë e Perëndisë dhe për të mirën e të afërmit tim! Zot, jam i vullnetshëm; a nuk mund të shpresoj vallë se kjo është një ditë e fuqisë Tënde? Jam i tëri në dispozicionin Tënd; i vullnetshëm, po, i zellshëm për t’u përdorur prej Teje për qëllimet e Tua të shenjta. O Zot, le të mos thërras, “ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën”, por më jep fuqi po ashtu si më jep vullnet.
21 shtator (Lërini sprovat të bekojnë)
“Duke ditur që shtrëngimi (mundimi) prodhon këmbënguljen.”
{#Romakëve 5 :3}
Ky është një premtim në thelb nëse jo në formë. Ne kemi nevojë për këmbëngulje dhe këtu shikojmë mënyrën e marrjes së saj. Është vetëm duke duruar që ne mësojmë të durojmë, po ashtu si duke notuar njerëzit mësojnë të notojnë. Nuk mund të mësohet dot ai art në tokë të thatë dhe as këmbëngulja nuk mund të mësohet pa telashe. A nuk ia vlen të durosh mundimin për hir të fitimit të asaj qetësie të bukur mendjeje që pranon qetësisht të gjithë vullnetin e Perëndisë? Prapëseprapë teksti ynë vë në dukje një fakt të veçantë, që nuk është i natyrshëm, por i mbinatyrshëm. Mundimi në vetvete dhe si rrjedhojë sjell padurim, mosbesim dhe rebelim.
Është vetëm nëpërmjet alkimisë së shenjtë të hirit që mundimi prodhon në ne këmbëngulje. Ne nuk e shijmë grurin për të ulur pluhurin: prapëseprapë fshikulla e shtrëngimit bën këtë mbi lëmën e Perëndisë. Ne nuk e tundim një njeri sa andej këndej për t’i dhënë atij prehje dhe prapëseprapë kështu sillet Zoti me fëmijët e Tij. Me të vërtetë kjo nuk është mënyra e njeriut, por kthehet madhërisht në lavdi të Perëndisë. O paçim hir për t’i lejuar sprovat të na bekojnë! E pse duhet që të dëshiroj të pengoj veprimin e tyre të hirshëm? Zot, të kërkoj të heqësh pikëllimin tim, por të përgjërohem dhjetë herë më shumë të heqësh padurimin tim. I çmuar Zoti Jezus, me kryqin tënd skalit imazhin e këmbënguljes Tënde në zemrën time.
22 shtator (Lumenj të gjerë pa anije)
“Por aty Zoti në madhështinë e Tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.”
{#Isaia 33 :21}
Zoti do të jetë për ne e mira supreme pa asnjë prej të këqijave që duken se në mënyrë të pashmangshme shoqërojnë gjërat më të mira të botës. Nëse një qytet është i favorizuar me lumenj të gjerë, ka mundësi që të sulmohet nga anije me lopata dhe të tjera anije luftarake. Mirëpo kur Zoti paraqet bollëkun e mirësisë së Tij nën këtë shëmbëlltyrë, Ai përkujdeset të përjashtojë hapur frikën që kjo metaforë mund të sugjerojë. Bekuar qoftë dashuria e Tij!
Zot, nëse më dërgon pasuri si lumenj të gjerë, mos lër anijet me lopata të afrohen në formën e mondanitetit ose krenarisë. Nëse më jep pasuri të bollshme dhe frymë të lumtur, mos lër “anijen e fuqishme” të rehatisë mishore të lundrojë mbi rrjedhën. Nëse kam sukses në shërbim të shenjtë, aq të gjerë sa Rini gjerman, prapëseprapë le të mos të gjej kurrë anijen e mendjemadhësisë dhe vetëbesimit duke lundruar mbi dallgët e dobishmërisë sime. Edhe sikur të isha kaq shumë i lumtur sa të gëzoja dritën e pamjes Tënde vit mbas viti, prapëseprapë mos lejo të përçmoj ndonjëherë shenjtorët e Tu të dobët, as mos lejo mendimin e kotë të vetë përkryerjes sime të lundrojë në lumenjtë e gjerë të sigurisë sime të plotë. Zot, më jep atë bekim që bën të pasur dhe që nuk shoqërohet as me pikëllim dhe që as nuk ndihmon mëkatin.
23 shtator (Çlirim prej bykut dhe pluhurit)
“Sepse ja, Unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.”
{#Amos 9 :9}
Procesi i shoshjes është duke vazhduar ende. Kudo që shkojmë ne jemi duke u shoshitur akoma. Në të gjitha vendet njerëzit e Perëndisë janë duke u vënë në provë “ashtu si gruri në shoshë.” Ndonjëherë djalli mban shoshën dhe e tund lart e poshtë me ritëm të lartë. Mosbesimi nuk është i ngadaltë për të trazuar zemrën dhe mendjen tonë me druajtjet e tij të ethshme. Bota bashkon duart me të njëjtin proces dhe na shkund sa majtas djathtas me fuqi të madhe. Më e keqja nga të gjitha, kisha, po aq besim-mohuese sa ç’është, merr pjesë për t’i dhënë një forcë më të furishme procesit shoshitës.
Mirë, mirë! Le të vazhdojë. Kështu byku ndahet prej grurit. Kështu gruri çlirohet prej pluhurit dhe bykut. Dhe sa e madhe që është mëshira që vjen te ne në tekst, “por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit!” Gjithçka që është e mirë, e vërtetë, e hirshme do të ruhet. As dhe një prej besimtarëve më të vegjël nuk do të humbasë, po ashtu asnjë besimtar nuk do të humbasë ndonjë gjë që ia vlen të quhet humbje. Ne do të ruhemi në mënyrë të tillë në shoshitjen sa do të jetë një fitim real për ne përmes Krishtit Jezus
24 shtator (Ujërat jetëdhënës)
“Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi.”
{#Ezekiel 47 :9}
Ujërat e gjalla, në vizionin e profetit, u derdhën në Detin e Vdekur dhe sollën jetë edhe në atë liqen me ujë ndenjës. Atje ku hiri shkon, jeta shpirtërore është rrjedhimi i menjëhershëm dhe i përhershëm. Hiri vepron në mënyrë sovrane sipas vullnetit të Perëndisë po ashtu si një lum në të gjithë kthesat e tij ndjek vetë vullnetin e tij të mirë; dhe kudo që mbërrin nuk pret që jeta të vijë aty, por krijon jetën nëpërmjet vetë rrjedhës së tij ngjallëse. Oh sikur të derdhej në rrugët tona dhe në lagjet tona famëkeqe! Oh sikur të vinte tani në shtëpinë time dhe të ngrihet derisa çdo dhomë të mbushej me të!
Zot, lër ujin e gjallë të derdhet në familjen time dhe miqtë e mi dhe le të mos më kalojë mënjanë. Shpresoj se kam pirë tashmë prej tij, por dëshiroj të lahem në të, po, të notoj në të. O Shpëtimtari im, kam nevojë për jetë më me shumë bollëk akoma. Eja te mua, të lutem, derisa çdo pjesë e natyrës sime të jetë me gjallëri energjike dhe tepër vepruese. Perëndi i gjallë, të lutem, më mbush me vetë jetën Tënde. Jam një shkop i gjorë, i thatë; eja dhe më bëj të jetoj në mënyrë të tillë sa ashtu si shufra e Aronit të mund të mugullojë, të lulëzojë dhe të prodhojë fryte për lavdinë Tënde. Më ngjall, për hir të Zotit tim Jezus. Amen.
25 shtator (Flijimi u pranua)
“Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë,Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona olokaustin dhe blatimin e ushqimit, as nuk do të na kishte treguar tërë këto gjëra.”
{#Gjyqtarët 13 :23}
Ky është një lloj premtimi i deduktuar. Është një deduktim i nxjerrë urtësisht prej faktesh të sigurta. Nuk ishte e mundur që Zoti t’i kishte zbuluar Manoahut dhe gruas së tij se do të kishin një djalë dhe prapëseprapë të kishte në zemër t’i shkatërronte. Gruaja arsyetoi mirë dhe do të bënim mirë sikur të ndjekim argumentimin e saj. Ati ka pranuar flijimin e madh të Kalvarit dhe e ka deklaruar veten shumë të kënaqur me të; si mund do të donte Ai tani të na vriste? E pse vallë një zëvendësues nëse mëkatari duhet të vdesë përsëri? Flijimi i pranuar i Jezusit i jep fundin frikës.
Zoti na ka treguar zgjedhjen tonë, adoptimin tonë, bashkimin tonë me Krishtin, martesën tonë me Shumëtëdashurin: e si mund tani të na shkatërrojë? Premtimet janë të ngarkuara me bekime që e bëjnë të domosdoshme ruajtjen tonë për jetën e përjetshme. Nuk është e mundur për Zotin të na flakë tutje dhe prapëseprapë të përmbushë besëlidhjen e Tij. E kaluara na siguron dhe e ardhmja na e mbledh mendjen. Ne nuk do të vdesim, por do të jetojmë, sepse ne kemi parë Jezusin dhe në Të kemi parë Atin me anë të ndriçimit të Frymës së Shenjtë. Për shkak të kësaj pamje jetëdhënëse ne kemi për të jetuar përjetë.
26 shtator (Mes të shpëtuarve)
“Ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.”
{#Numrat 23 :9}
Kush do të dëshironte të banonte mes kombeve dhe të llogaritej me to? Epo, madje edhe kisha e dukshme është e tillë sa ta ndjekë Zotin plotësisht përbrenda kufijve të saj është shumë e vështirë. Ka një pleksje dhe përzierje të tillë sa shpesh ndonjëri psherëtin për “një kasolle në ndonjë vend të vetmuar.” Është e sigurtë se Zoti do nga njerëzit e Tij që të ndjekin një udhë të ndarë nga bota dhe të dalin jashtë prej saj me vendosmëri dhe në mënyrë të dukshme.
Ne jemi vënë veçan nga dekreti hyjnor, jemi blerë, jemi thirrur dhe përjetimi ynë i brendshëm na ka bërë që të dallojmë shumë nga njerëzit e botës; dhe prandaj vendi ynë nuk është në Panairin e tyre të Kotësisë, as në Qytetin e Shkatërrimit, por në rrugën e ngushtë ku të gjithë pelegrinët e vërtetë duhet që të ndjekin Zotin e tyre. Kjo jo vetëm që do t’i përshtatej nënqeshjeve tallëse dhe ftohtësisë së botës, por do të na bënte t’i pranojmë me kënaqësi si pjesë e riskut tonë besëlidhës. Emrat tanë nuk janë në të njëjtin libër, ne nuk jemi të së njëjtës farë, nuk jemi drejtuar në të njëjtin vend dhe as nuk jemi duke i mirëbesuar të njëjtit udhërrëfyes, prandaj është mirë që nuk jemi të numëruar me ta. Veçse le të llogaritemi me të shpëtuarit dhe do të jemi të kënaqur të jemi veçan deri në fund të udhëtimit.
27 shtator (Drita hyjnore në errësirë)
“Ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time.”
{#Psalmi 18 :28}
Ndoshta shpirti im gjendet në errësirë dhe nëse kjo është e një lloji shpirtëror, asnjë fuqi njerëzore nuk mund të më sjellë dritë. Bekuar qoftë Perëndia! Ai mund të ndriçojë errësirën time dhe menjëherë mund të shkëlqejë llambën time. Edhe sikur të jem i rrethuar prej “një errësire që mund të preket me dorë,” prapëseprapë Ai mund të thyejë mugun dhe menjëherë mund ta bëjë atë të shkëlqyeshëm përreth meje. Mëshira është se nëse Ai ndez llambën, askush nuk mund ta fikë, as nuk do të shuhet për mungesë lënde djegëse, as nuk do të konsumohet vetë me kalimin e orëve.
Dritat që Zoti ndez në fillim janë akoma duke ndriçuar. Llambat e Zotit mund të kenë nevojë për pastrim, por ama Ai nuk i shuan ato. Kështu që, ashtu si bilbili le të këndoj në mes të errësirës. Pritja do të më furnizojë me melodi dhe shpresa do të japë tonin. Shpejt do të gëzohem në dritën e llambës të Perëndisë. Pikërisht tani jam i trishtuar dhe i zymtë. Ndoshta është prej kohës, prej dobësisë trupore ose prej një telashi të papritur, por çfarë do që ka sjellë errësirën është vetëm Perëndia Ai që do të sjellë dritën. Sytë e mi janë vetëm për Të. Shpejt do të kem llambën e Zotit duke ndriçuar rreth meje; dhe më vonë, në vetë kohën e Tij të mirë, do të jem atje ku nuk ka nevojë për llambë as për dritën e diellit. Alelujah!
28 shtator (Vepra është kryer, prehuni në të)
“Mbetet, pra, një pushim i së shtunës (ditë prehje) për popullin e Perëndisë.”
{#Hebrenjve 4 :9}
Perëndia ka dhënë një Shabat dhe disa duhet të hyjnë në të. Ata të cilëve iu predikua në fillim nuk hynë dot brenda për shkak të mosbesimit; prandaj, ai Shabat mbetet për popullin e Perëndisë. Davidi këndoi për të, por ama në minor, sepse Izraeli refuzoi prehjen e Perëndisë. Jozueu nuk mund ta japë dot atë, po ashtu dhe Kanaani; prehja mbetet për besimtarët. Ejani atëherë, le të punojmë shumë për të hyrë në këtë prehje. Le të lëmë robërimin e rëndë të mëkatit dhe vetes. Le të reshtim prej çdo mirëbesimi, madje edhe në ato vepra për të cilat mund të thuhet, “Janë shumë të mira.” A kemi të tilla vepra?
Sido që të jetë le të bëjmë pushim nga vepra tona ashtu si Perëndia bëri nga të Tijat. Tani le të gjejmë ngushëllim në veprën e mbaruar të Zotit tonë Jezus. Çdo gjë është e kryer plotësisht: drejtësia nuk kërkon më shumë. Paqja e madhe është risku ynë në Krishtin Jezus. Përsa i përket çështjeve të providencës, veprës së hirit në shpirt dhe veprës së Zotit në shpirtrat e të tjerëve, le të hedhim këto barra mbi Zotin dhe le të prehemi në Të. Kur Zoti na jep një barrë për të mbajtur, Ai bën kështu me qëllim që duke e hequr atë të mund të gjejmë prehje. Me anë të besimit ne punojmë shumë për të hyrë në prehjen e Perëndisë dhe heqim dorë prej çdo prehjeje në vetë-kënaqësi ose plogështi. Jezusi vetë është prehje e përkryer dhe jemi të mbushur përplot në Të.
29 shtator (Për të lavdëruar Krishtin Jezus)
“Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t`jua kumtojë.”
{#Gjoni 16 :14}
Vetë Fryma e Shenjtë nuk mund ta përlëvdojë më mirë Zotin Jezus se sa duke na treguar vetë gjërat e Krishtit. Jezusi është vetë rekomandimi i Tij më i mirë. Ai nuk mund të stoliset përveçse me vetë arin e Tij. Ngushëlluesi na tregon atë që ka marrë prej Zotit tonë Jezus. Ne kurrë nuk kuptojmë ndonjë gjë si duhet derisa Ai e zbulon atë. Ai ka mënyrën e Tij për të hapur mendjet tona dhe për të hapur Shkrimet dhe me anë të këtij procesi të dyfishtë Ai na nxjerr në pah Zotin tonë. Ka shumë art në vënien në pah të një pike dhe ai art i përket në shkallën më të lartë Frymës së të vërtetës.
Ai na tregon gjërat vetë. Ky është një privilegj i madh ashtu siç e dinë ata që kanë gëzuar vizionin e shenjtë. Le të kërkojmë ndriçimin e Frymës; jo për të kënaqur kureshtjen tonë, ose jo edhe aq sa të na sjellë rehati vetjake se sa të lavdërojmë Zotin Jezus. Oh të kesh ide që ia vlejnë në lidhje me Të! Idetë e ulëta çnderojnë Zotin tonë të çmuar. Oh të kesh të tilla mbresa të gjalla të personit të Tij, veprës së Tij dhe lavdisë së Tij sa me zemër e me shpirt të mund të ngremë lart zërin për lëvdimin e Tij! Atje ku ka një zemër të pasuruar prej mësimit të Frymës së Shenjtë do të ketë një Shpëtimtar të përlëvduar përtej çdo shprehie. Eja, Frymë e Shenjtë, dritë qiellore dhe na trego Jezusin Zotin tonë.
30 shtator (Ne duhet të hapim gojën dhe t’i kërkojmë Perëndisë)
“Hap gojën tënde dhe Unë do të ta mbush.”
{#Psalmi 81 :10}
Çfarë inkurajimi për t’u lutur! Idetë tona njerëzore do të na shpien të kërkojmë gjëra të vogla ngaqë meritat tona janë të kaq të vogla, por Zoti do që ne të kërkojmë bekime të mëdha. Lutja duhet të jetë po aq e thjeshtë sa hapja e gojës; duhet të jetë një shqiptim i natyrshëm, i pa sforcuar. Kur një njeri është i zellshëm ai e hap gojën dhe teksti ynë na shtyn që të jemi të zellshëm në përgjërimet tona. Prapëseprapë do të thotë gjithashtu se ne mund të jemi të guximshëm me Perëndinë dhe mund të kërkojmë bekime të shumta dhe të mëdha në duart e Tij.
Lexoni të gjithë vargun dhe shikoni argumentin e dhënë: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit: hap gojën tënde dhe Unë do të ta mbush.” Ngaqë Zoti ka dhënë aq shumë, Ai na fton të kërkojmë më shumë akoma, po, të presim më shumë. Shiko se si zogjtë e vegjël në fole e hapin sqepin e tyre sa gjerë e gjatë kur nëna vjen për t’i ushqyer. Le të jetë njësoj me ne. Le të marrim hirin gjerë e gjatë. Le ta thithim ashtu si sfungjeri thith ujin në të cilin gjendet. Perëndia është gati të na mbushë nëse ne jemi gati të mbushemi. Nevojat tona le të na hapin gojën; dobësia jonë le të na bëjë që të hapim gojën dhe të gulçojmë; po, alarmimi ynë le të na bëjë që të hapim gojën me një thirrmë fëmije. Goja e hapur do të mbushet prej vetë Zotit. Kështu qoftë për ne këtë ditë.