1 tetor (Ai mban mend besëlidhjen)
“Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e Tij. ”
{#Psalmi 111 :5}
Ata që kanë frikë Perëndinë nuk kanë pse të druajnë varfërinë. Përmes gjithë këtyre viteve të gjata Zoti gjithnjë ka gjetur ushqim për vetë fëmijët e Tij, kur ata kanë qenë ose në shkretëtirë, ose pranë përroit Kerith, ose të burgosur, ose në mes të zisë së bukës. Deri këtu Zoti na ka dhënë ditë për ditë bukën tonë të përditshme dhe ne nuk e vëmë në dyshim se Ai do të vazhdojë të na ushqejë derisa të mos kemi më nevojë. Përsa i përket bekimeve më të larta dhe më të mëdha të besëlidhjes së hirit, Ai kurrë nuk do të reshtë t’i japë ashtu si kërkon rasti ynë.
Ai mban mend se ka lidhur besëlidhjen dhe nuk vepron kurrë sikur të pendohej për të. Ai e kujton besëlidhjen kur ne e provokojmë Atë për të na shkatërruar. Ai mban mend të na dojë, të na ruajë, të na ngushëllojë po ashtu si u zotua të bëjë. Ai mban mend çdo jotë dhe çdo presje të zotimeve të Tij, duke mos lejuar asnjë prej fjalëve të Tij të bjerë në tokë. Ne trishtueshëm jemi harraqë ndaj Perëndisë tonë, por Ai na kujton hirshëm. Ai nuk mund të harrojë Birin e Tij i Cili është Siguria e Besëlidhjes, as Frymën e Shenjtë të Tij që zbaton aktivisht besëlidhjen; as vetë nderin e Tij, i cili është i lidhur me besëlidhjen. Prandaj themeli i Perëndisë qëndron i sigurtë dhe asnjë besimtar nuk do ta humbë trashëgiminë e tij hyjnore, që është e tija me anë të një besëlidhjeje të besës.
2 tetor (Premtim i vizitës nga i Përjetshmi)
“Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: “Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.”
{#Zanafilla 50 :24}
Jozefi pati qenë një providencë e mishëruar për vëllezërit e Tij. Të gjithë Jozefët tanë vdesin dhe një mijë ngushëllime vdesin me ta. Egjipti nuk ishte kurrë po ai ndaj Izraelit mbasi Jozefi vdiq, po ashtu dhe bota nuk mund të jetë ajo çfarë ishte kur të dashurit tanë ishin gjallë. Po shikoni se si dhembja e asaj vdekjeje të trishtë u lehtësua! Ata patën një premtim se Perëndia i gjallë do t’i vizitonte. Një vizitë prej Jehovait! Çfarë favori! Çfarë ngushëllimi! Çfarë parajse poshtë!
O Zot, na vizito këtë ditë; edhe pse në të vërtetë ne nuk jemi të denjë që Ti të vish nën çatinë tonë. Por më shumë u premtua akoma: Zoti do t’i nxjerrë jashtë nga Egjipti. Ata do të gjenin në Egjipt një mirëseardhje të ftohtë mbas vdekjes së Jozefit; madje do të bëhej për ta një shtëpi skllavërie. Por nuk kishte për të qenë kështu përherë; ata do të dilnin jashtë prej saj me anë të një çlirimi hyjnor dhe do të marshonin për në tokën e premtuar. Ne nuk do të qajmë këtu përherë. Do të thirremi për në tokën e lavdisë për t’iu bashkuar të shtrenjtëve tanë. Prandaj, “ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë.”
3 tetor (Pasqyrim i hireve të Zotit)
“Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën Tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.”
{#Psalmi 17 :15}
Risku i njerëzve të tjerë mbush barkun e tyre dhe pasuron fëmijët e tyre, por risku i besimtarit është i një tjetër lloji. Njerëzit e botës kanë thesarin e tyre në këtë botë, por njerëzit e botës së ardhshme shikojnë më lart dhe më larg. Zotërimi ynë është i dyfishtë. Ne kemi praninë e Perëndisë këtu dhe ngjashmërinë e Tij më pas. Këtu ne shikojmë fytyrën e Zotit në drejtësi, sepse jemi të justifikuar në Krishtin Jezus. Oh, gëzimi i vështrimit të fytyrës së një Perëndie të pajtuar! Lavdia e Perëndisë në fytyrën e Jezu Krishtit na lëshon parajsë këtu poshtë dhe do të jetë për ne parajsa e parajsës lart.
Por vështrimi nuk përfundon aty: kemi për t’u ndryshuar njësoj si ajo që vështrojmë. Do të flemë për pak kohë dhe më pas do të zgjohemi për të zbuluar veten tonë si pasqyra që pasqyrojnë bukuritë e Zotit tonë. Besimi shikon Perëndinë me një shikim shndërrues. Zemra merr imazhin e Jezusit në vetë thellësitë e saj, derisa karakteri i Jezusit është i shtypur në shpirt. Kjo është kënaqësi. Të shikosh Perëndinë dhe të jem si Ai—çfarë mund të dëshiroj më shumë? Mirëbesimi i sigurtë i Davidit me anë të Frymës së Shenjtë bëhet për mua premtimi i Zotit. E besoj atë. E pres atë. Zot,ma jep atë. Amen.
4 tetor (Magneti i fuqishëm)
“Dhe Unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek Unë.”
{#Gjoni 12 :32}
Ejani ju, punëtorë, merrni zemër. Druani se nuk mund të tërhiqni dot një bashkësi. Provoni predikimin e një Shpëtimtari të kryqëzuar, të ngjallur dhe të ngritur lart, sepse kjo është “tërheqja” më e madhe që u shfaq ndonjëherë mes njerëzve. Kush ju tërhoqi vallë te Krishti përveç Krishtit? Kush ju tërheq tani përveçse vetë Personi i Tij i bekuar? Nëse jeni tërhequr te feja me anë të ndonjë gjëje tjetër, shpejt do të largoheni prej saj, por Jezusi ju ka mbajtur dhe do t’ju mbajë deri në fund. Pse atëherë të vësh në dyshim pushtetin e Tij për të tërhequr të tjerët?
Shkoni me emrin e Jezusit te ata që deri tani kanë qenë kokëfortë dhe do të shihni se edhe ata do të tërhiqen. Asnjë lloj njeriu nuk është përtej këtij pushteti tërheqës. Të vjetër, të rinj, të pasur, të varfër, të paditur, të mësuar, të korruptuar ose të dashur—të gjithë njerëzit do të ndjejnë forcën tërheqëse. Jezusi është magneti i vetëm. Le të mos mendojmë për ndonjë tjetër. Melodia nuk do të tërheqë te Jezusi, as gojëtaria, logjika, ceremonia ose zhurma. Jezusi vetë duhet të tërheqë njerëzit te Vetja e Tij; dhe Jezusi është në lartësinë e duhur për ta bërë këtë në çdo rast. Mos u tundoni prej sharlatanëve të sotëm, por si punëtorë për Zotin punoni sipas mënyrës së Tij dhe tërhiqni me vetë litarët e Zotit. Tërhiqni te Krishti dhe tërhiqni me anë të Krishtit, sepse atëherë Krishti do të tërheqë nëpërmjet jush.
5 tetor (Si vesa e dërguar nga Perëndia)
“Kusuri i Jakobit, në mes të shumë popujve, ka për të qenë si një vesë e dërguar nga Zoti, si një shi i dendur mbi barin, që nuk pret njeriun dhe nuk shpreson asgjë nga bijtë e njerëzve.”
{#Mikea 5 :7}
Nëse kjo është e vërtetë për Izraelin e mirëfilltë, aq më shumë është e vërtetë për Izraelin shpirtëror, njerëzit besimtarë të Perëndisë. Kur shenjtorët janë ajo çfarë duhet që të jenë, ata janë një bekim i pallogaritshëm mes atyre ku janë shpërndarë. Ata janë si vesa, sepse në një mënyrë të qetë, të matur ata freskojnë njerëzit përreth tyre. Heshtur, por efektshmërisht ata i shërbejnë jetës, rritjes dhe gëzimit të atyre që banojnë me ta.
Duke ardhur të freskët prej qiellit, duke shkëlqyer nën diell si diamante, njerëzit dhe gratë e hirshme kujdesen për të dobëtin dhe të parëndësishmin derisa çdo fije bari ka pikën e vet të vesës. Ashtu si janë të vegjël, të marrë tek e tek, ata janë, të bashkuar, të plotmjaftueshëm për qëllimet e dashurisë që Zoti përmbush nëpërmjet tyre. Pikat e vesës përmbushin freskimin e shumë akrave. Zot, na bëj ashtu si vesa! Njerëzit e perëndishëm janë si shira që vijnë me urdhrin e Perëndisë pa lejen a autorizimin e njeriut. Ata punojnë për Perëndinë e dëshirofshin njerëzit këtë apo jo; ata nuk marrin më shumë leje njerëzore se sa merr shiu kur bie. Zot, na bëj kështu të gatshëm me guxim dhe të lirë në shërbimin tënd kudo që të bjerë risku ynë.
6 tetor (Udhëheqja e Udhërrëfyesit tonë)
“Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t`ju prijë në çdo të vërtetë.”
{#Gjoni 16 :13}
E vërteta është si një shpellë e gjerë në të cilën ne dëshirojmë të hyjmë, por nuk jemi të aftë ta përshkojmë atë vetëm. Në hyrje është e dallueshme dhe e shkëlqyeshme, por nëse do të shkonim më larg dhe të eksploronim skutat e saj më të brendshme, na duhet që të kemi një udhëheqës, ose përndryshe do të humbasim. Fryma e Shenjtë që njeh çdo të vërtetë në mënyrë të përkryer është udhërrëfyesi i caktuar i çdo besimtari të vërtetë dhe i udhëheq ata në masën e ç’ka janë të aftë të mbajnë, prej një dhome të brendshme te një tjetër, kështu që ata shikojnë gjërat e thella të Perëndisë dhe sekreti i Tij i bëhet i qartë.
Çfarë premtimi që është ky për mendjen hulumtuese të përulur! Ne dëshirojmë të njohim të vërtetën dhe të hyjmë aty. Jemi të ndërgjegjshëm për vetë prirjen tonë për t’u hallakatur dhe ndjejmë nevojën urgjente për një udhërrëfyes. Gëzohemi se Fryma e Shenjtë ka ardhur dhe banon mes nesh. Ai begenis të veprojë si një udhërrëfyes për ne dhe ne e pranojmë me gëzim udhëheqjen e Tij. “Çdo të vërtetë” ne dëshirojmë të mësojmë që të mos jemi të njëanshëm dhe të paekuilibruar. Nuk do të jemi vullnetarisht të paditur në lidhje me ndonjë pjesë të zbulesës, përndryshe mund të humbim bekimin ose marrim mbi vete mëkatin. Fryma e Perëndisë ka ardhur që të mund të na udhëheqë në të gjithë të vërtetën: me zemra të bindura le t’i vëmë veshin fjalëve të Tij dhe le të ndjekim udhëheqjen e Tij.
7 tetor (Përherë i pari në shoqërim)
“Ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.”
{#Marku 16 :7}
Atje ku caktoi të takojë dishepujt e Tij, atje do të gjendej në kohën e duhur. Jezusi e mban fjalën për takimin. Nëse Ai premton të na takojë në fronin e mëshirës, ose në adhurim publik, ose në ritet, le të jemi të sigurtë se Ai do të jetë atje. Ne mund të qëndrojmë larg në mënyrë të ligë prej vendtakimeve të caktuara, por Ai kurrë nuk do ta bëjë këtë. Ai thotë , “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin Tim, Unë jam në mes të tyre”; Ai nuk thotë “aty do të jem,” por “aty jam tashmë.”
Jezusi është gjithnjë i pari në shoqërim: “Ai po ju pararend.” Zemra e Tij është me popullin e Tij, ëndja e Tij është në ta, Ai nuk është kurrë i ngadaltë për t’i takuar. Në çdo shoqërim Ai shkon para nesh. Por Ai ia zbulon veten atyre që e ndjekin: “Atje do ta shihni.” Pamje e gëzueshme! Nuk e vrasim shumë mendjen për të parë më të madhin e njerëzve të zakonshëm, por të shikosh Atë do të thotë të mbushesh me gëzim dhe paqe. Dhe ne do ta shikojmë Atë, sepse Ai premton të vijë te ata që besojnë në Të dhe t’u shfaqet atyre. Jini të sigurtë se do të jetë kështu, sepse Ai bën gjithçka sipas fjalës së Tij të premtimit: “Ashtu siç ju pati thënë.” Kapuni te këto fjalë të fundit dhe jini të sigurtë se deri në fund Ai do të bëjë për ju “ashtu siç ju pati ka thënë.”
8 tetor (Kurrë vetëm)
“Nuk do të quhesh më “E (i) braktisur.”
{#Isaia 62:4}
“I braktisur” është një fjalë e tmerrshme. Tingëllon si një kambanë vdekjeje. Është dëshmia e pikëllimeve më të mprehta dhe profecia e të këqijave më të kobshme. Një abis mjerimi hapet në atë fjalë “I braktisur.” I braktisur prej dikujt që u zotua me nderin e tij! I braktisur prej një miku kaq shumë i provuar dhe i mirëbesuar! I braktisur prej një të afërmi të shtrenjtë! I braktisur prej babait dhe nënës! I braktisur prej të gjithëve! Kjo është me të vërtetë fatkeqësi, dhe prapëseprapë mund të mbahet me durim nëse Zoti na ngre lart.
Por çfarë duhet të jetë të ndjehesh i braktisur prej Perëndisë? Mendoni mbi atë thirrjen më të hidhur se çdo thirrje tjetër, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” A e kemi shijuar ndonjëherë në një farë mase hidhërimin dhe lëndimin e “I braktisur,” në atë kuptim? Nëse po, le t’i përgjërohemi Zotit tonë për të na shpëtuar prej ndonjë përsëritjeje të një pikëllimi kaq të pashprehshëm. Oh, një errësirë e tillë të mund të mos kthehet kurrë më! Njerëzit në ligësi folën për një të shenjtë, “Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni.” Por kjo gjë ka qenë gjithmonë e pavërtetë. Favori i dashur i Zotit do të shtrëngojë armiqtë tanë mizorë të kthejnë mbrapsht fjalët e tyre ose së paku, të mbajnë gjuhën. E kundërta e gjithë kësaj është ajo fjalë e shkallës më të lartë, “Eftsibah—”Zoti ka ëndje të madhe në ty.” Kjo e kthen të qarën në valle. Ata që ëndërruan se ishin të braktisur le të dëgjojnë Zotin të thotë, “Kurrë nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
9 tetor (Çfarë është ajo që shenjtëron?)
“Pastaj prifti do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit të temjanit të parfumuar para Zotit.”
{#Levitiku 4:7}
Altari i temjanit është vendi ku shenjtorët paraqesin lutjet dhe lëvdimet e tyre; dhe është e kënaqshme të mendosh për të si i spërkatur me gjakun e flijimit të madh. Kjo është ajo që e bën të gjithë adhurimin tonë të pranueshëm para Jehovait: Ai shikon gjakun e vetë Birit të Tij dhe prandaj e pranon homazhin tonë. Është mirë për ne që të fiksojmë sytë mbi gjakun e flijimit të vetëm për mëkatin. Mëkati përzihet madje edhe me gjërat tona të shenjta dhe pendimi, besimi, lutja dhe falënderimi ynë më i mirë nuk do të mund të pranohej prej Perëndisë po të mos ishte prej meritës së flijimit shlyes.
Shumë përqeshin “gjakun,” por për ne është themeli i ngushëllimit dhe shpresës. Ajo që është mbi brirët e Altarit synohet për të qenë në mënyrë të spikatur përpara syve tanë kur i afrohemi Perëndisë. Gjaku i jep forcë lutjes dhe prandaj është mbi brirët e altarit. Është “përpara Zotit,” dhe prandaj duhet të jetë përpara nesh. Është mbi altarin përpara se ne të sjellim temjanin; është atje për të shenjtëruar flijimet dhe dhuratat tona. Ejani, le të lutemi me mirëbesim, përderisa Flijimi u ofrua, merita ka ndërmjetësuar, gjaku është përbrenda velit dhe lutjet e besimtarëve janë të ëmbla para Zotit.
10 tetor (Një derë e hapur shoqërimi)
“Të vura përpara një derë të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë.”
{#Zbulesa 3:8}
Shenjtorët që i qëndrojnë besnikë të vërtetës së Perëndisë kanë një derë të hapur përpara tyre. Shpirti im, ke vendosur të jetosh dhe të vdesësh me atë që Zoti ka zbuluar në Fjalën e Tij dhe prandaj para teje qëndron kjo derë e hapur. Do të hyj brenda me anë të derës së hapur të shoqërimit me Perëndinë. Kush do të më thotë jo? Jezusi ka hequr mëkatin tim dhe më ka dhënë drejtësinë e Tij, prandaj mund të hyj lirisht. Zot, bëj kështu me anë të hirit Tënd.
Kam gjithashtu para meje një derë të hapur në misteret e Fjalës. Mund të hyj në gjërat e thella të Perëndisë. Zgjedhja, Bashkimi me Krishtin, Ardhja e Dytë—të gjitha këto janë përpara meje dhe mund t’i gëzoj. Asnjë premtim ose doktrinë nuk është tani e mbyllur me kyç për mua. Një derë e hapur hyrjeje është përpara meje privatisht dhe një derë e hapur dobie botërisht. Perëndia do të më dëgjojë, Perëndia do të më përdorë. Një derë është e hapur për marshimin tim përpara për te kisha lart dhe për shoqërimin tim të përditshëm me shenjtorët poshtë. Disa mund të përpiqen të më mbyllin ose të më përjashtojnë,por gjithçka më kot. Së shpejti do të shoh një derë të hapur për në qiell: porta prej perlash do të jetë rrugëkalimi im dhe më pas do të shkoj te Zoti dhe Mbreti im dhe do të jem i ngujuar përjetë me Perëndinë.
11 tetor (Liri lëvizje)
“Do t’i bëj të fuqishëm në Zotin dhe ata do të ecin në emrin e Tij”, thotë Zoti.”
{#Zakaria 10:12}
Një ngushëllim për shenjtorët e sëmurë. Ata janë mekur dhe druajnë se nuk do të ngrihen kurrë prej shtratit të dyshimit dhe frikës, por Mjeku i madh mund jo vetëm të heqë sëmundjen, por mund edhe të largojë dobësinë që ka ardhur prej saj. Ai do të forcojë të dobëtin. Këtë Ai do ta kryejë sipas mënyrës më të mirë, sepse do të jetë “në Jehovain.” Forca jonë është ku e ku më mirë në Perëndinë se sa në vetveten. Në Zotin ajo shkakton shoqërim, në veten tonë do të krijonte krenari. Në veten tonë do të ishte e kufizuar për t’u ardhur keq, por në Perëndi nuk njeh kufi.
Kur forca jepet, besimtari e përdor atë. Ai ecën poshtë e lartë në emrin e Zotit. Çfarë gëzimi që është të ecësh i çliruar mbas sëmundjes dhe çfarë ëndje të jesh i fortë në Zotin mbas një periudhe kapitjeje! Zoti i jep njerëzve të Tij liri për të ecur poshtë e lartë dhe një nge të brendshme për të ushtruar këtë liri. Ai na bën fisnikë të vërtetë: ne nuk jemi skllevër që nuk njohin prehje dhe soditje, por jemi të lirë për të udhëtuar plot kënaqësi përmes tokës së Emanuelit. Eja, zemra ime, mos ji më e sëmurë dhe e trishtuar. Jezusi të urdhëron të jesh e fortë dhe të ecësh me Perëndinë në soditje të shenjtë. Bindu fjalës së Tij të dashurisë.
12 tetor (Shenjë e Hirit Besëlidhës)
“Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.”
{#Ligji i përtërirë 30:6}
Këtu ne lexojmë për rrethprerjen e vërtetë. Vini re autorin e saj: “Zoti, Perëndia yt.” Vetëm Ai mund të merret efektshmërisht me zemrën tonë dhe ta heqë botëmishjen dhe fëlliqjen e saj. Të na bëjë të duam Perëndinë me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë është një mrekulli e hirit që vetëm Fryma e Shenjtë mund ta kryejë. Ne duhet të shikojmë vetëm te Zoti për këtë dhe të mos kënaqemi kurrë me diçka më pak. Vini re se ku kryhet kjo rrethprerje. Nuk është e mishit, por e frymës. Është shenja thelbësore e besëlidhjes së hirit.
Dashuria për Perëndinë është dëshmia e pashlyeshme e farës së zgjedhur; nëpërmjet kësaj vule të fshehtë besimtarit i vërtetohet zgjedhja e hirit. Duhet të kemi kujdes që të mos e vendosim besimin në rite të jashtme, por të shqyrtojmë se a jemi të vulosur në zemër nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë. Vini re se cili është rezultati—”dhe kështu ti të jetosh.” Mendja e kontrolluar nga mishi do të thotë vdekje. Me mposhtjen e mishit ne gjejmë jetë dhe paqe. Nëse e kemi mendjen te gjërat e Frymës, do të jetojmë. Oh, Jehovah, Perëndia ynë, plotësoftë veprën e Tij të hirshme në natyrat tona të brendshme, që, në kuptimin më të plotë dhe më të lartë, të mund të jetojmë për Zotin.
13 tetor (Në qoftë se dhe një premtimi i trefishtë)
“Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin Tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën Time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, Unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.”
{#2 Kronikat 7:14}
Të thirrur me emrin e Zotit, prapëseprapë ne jemi burra dhe gra që hallakatemi. Çfarë mëshire që është që Perëndia ynë është i gatshëm të falë! Sa herë që mëkatojmë, le të nxitojmë për te froni i mëshirës të Perëndisë tonë, duke kërkuar falje. Ne kemi për t’u përulur. A nuk duhet të përulemi prej faktit se mbasi kemi marrë kaq shumë dashuri prapëseprapë bëjmë shkelje? O Zot, përkulemi para Teje në pluhur dhe pranojmë mosmirënjohjen tonë të rëndë. Oh, turpi i mëkatit! Oh poshtërsia e tij e shtatëfishtë te njerëz si ne kaq shumë të favorizuar sa kemi qenë! Më pas, kemi për t’u lutur për mëshirë, për pastrim, për çlirim prej fuqisë së mëkatit.
O Zot, na dëgjo dhe mos e përjashto thirrmën tonë. Në këtë lutje ne kemi për të kërkuar fytyrën e Zotit. Ai na ka lënë për shkak të fajeve tona dhe ne duhet t’i përgjërohemi për t’u kthyer tek Ai. O Zot, na shiko në Birin Tënd Jezus dhe buzëqesh ndaj shërbëtorëve të Tu. Kjo duhet të shoqërohet me vetë kthimin tonë prapa prej mëkatit. Perëndia nuk mund të kthehet te ne nëse ne nuk kthehemi prej mëkatit. Më pas vjen premtimi i trefishtë i dëgjimit, faljes dhe shërimit. Ati ynë, na jep këto menjëherë, për hir të Zotit Jezu Krisht.
14 tetor (Pa pasur kurrë turp)
“Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.”
{#Mateu 10:32}
Premtim i hirshëm! Është gëzim i madh për mua të rrëfej Zotin tim. Cilat do qofshin gabimet e mia, nuk kam turp prej Jezusit, as nuk kam frikë të deklaroj doktrinat e kryqit të Tij. O Zot, nuk e kam fshehur drejtësinë Tënde përbrenda zemrës sime. E ëmbël është perspektiva që teksti vë para meje! Miqtë braktisin dhe armiqtë ngazëllehen, por Zoti nuk mohon shërbëtorin e Tij. Pa dyshim që Zoti do të më pranojë madje edhe këtu dhe do të më japë shenja të reja të vështrimit të Tij të favorshëm. Por do të vijë dita kur do të më duhet të qëndroj përpara Atit të Madh.
Çfarë lumnie të mendosh se Jezusi do të më rrëfejë atëherë! Ai do të thotë, “Ky njeri me të vërtetë që më besoi dhe deshi që të fyhej për hir të emrit Tim; dhe prandaj e njoh si t’Imin.” Ditën e kaluar një njeri i shquar u shpall kalorës dhe Mbretëresha i dorëzoi një zharretierë me gurë të çmuar, por edhe çfarë atëherë? Do të jetë një nder mbi çdo nder tjetër për ne kur Zoti Jezus të na rrëfejë në praninë e Madhërisë hyjnore në qiej. Le të mos kem kurrë frikë të pranoj Zotin. Le të mos lejoj kurrë një heshtje ose kompromis burracak. A do të skuqesha të pranoja Atë që premton të më pranojë?
15 tetor (Të mbështetur prej ushqimit)
“Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.”
{#Gjoni 6:57}
Ne jetojmë në sajë të bashkimit tonë me Birin e Perëndisë. Si Ndërmjetës Perëndi-njeri, Zoti Jezus jeton me anë të Atit vetë-ekzistues që e dërgoi dhe në të njëjtën mënyrë ne jetojmë me anë të Shpëtimtarit që na ka ngjallur. Ai që është burimi i jetës sonë është gjithashtu mbështetja e saj. Jeta është e mbështetur prej ushqimit. Ne duhet të mbështesim jetën shpirtërore me ushqim shpirtëror dhe ky ushqim shpirtëror është Zoti Jezus—jo vetëm jeta, ose vdekja, ose ofiqet, ose vepra ose fjala e Tij, por Ai vetë, duke përfshirë të gjitha këto. Ne ushqehemi me vetë Jezusin.
Kjo vihet në dukje për ne në Darkën e Zotit, por gëzohet me të vërtetë prej nesh kur ne përsiatim mbi Zotin Jezus, besojmë në Të me besim përvetësues, e marrim në veten tonë me dashuri dhe e asimilojmë me anë të fuqisë së jetës së brendshme. Ne e dimë se çfarë është të ushqehesh me Jezusin, por nuk mund ta shprehim ose ta shkruajmë dot. Sjellja jonë më e urtë do të ishte ta praktikojmë këtë gjë dhe të bëjmë kështu gjithnjë e më shumë. Jemi të urdhëruar të hamë me bollëk dhe do të jetë përfitim i pafund që ta bëjmë këtë gjë ndërsa Jezusi është mishi dhe pija jonë. Zot, të falënderoj se kjo gjë, që është një nevojshmëri e jetës sime të re, është gjithashtu ëndja e saj më e madhe. Kështu që në këtë çast ushqehem me të vërtetë me Ty.
16 tetor (Një me Krishtin Jezus)
“Sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni.”
{#Gjoni 14:19}
Jezusi e ka bërë jetën e besimtarëve në Të po aq të sigurtë sa jeta e Tij. Po aq me siguri sa koka jeton gjymtyrët jetojnë gjithashtu. Sikur Jezusi të mos ishte ngjallur prej së vdekuri, atëherë ne do të ishim të vdekur në mëkatet tona, por përderisa Ai është ngjallur, të gjithë besimtarët janë ngjallur në Të. Vdekja e Tij ka larguar tutje shkeljet tona dhe ka çliruar zinxhirët që na mbanin nën dënimin me vdekje. Ringjallja e Tij provon justifikimin tonë: ne jemi shlyer dhe mëshira thotë, “Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.”
Jezusi e ka bërë jetën e njerëzve të Tij po aq të përjetshme sa e Tija. Si vallë ata mund të humbasin përderisa Ai jeton, duke pasur parasysh se janë një me Të? Ngaqë Ai nuk vdes më dhe vdekja nuk ka më pushtet mbi Të, po ashtu ata nuk do të kthehen më në varret e mëkateve të tyre të vjetra, por do të jetojnë për Zotin në risi jete. O besimtar, atëherë kur je nën tundim të madh dhe druan se një ditë do të biesh nga dora e armikut, le të të japë zemër kjo gjë. Ti nuk do ta humbësh kurrë jetën tënde shpirtërore, sepse është e fshehur me Krishtin në Perëndi. Ti nuk e vë në dyshim pavdekshmërinë e Zotit tënd; prandaj mos mendo se Ai do të lejojë që ti të humbasësh, përderisa je një me Të. Argumenti për jetën tënde është jeta e Tij dhe për këtë nuk ke pse të kesh frikë; prandaj prehu në Zotin tënd të gjallë.
17 tetor (Frikë e shenjtë)
“Por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.”
{#Fjalët e urta 13:13}
Frika e shenjtë ndaj Fjalës së Perëndisë është duke u lënë shumë pas dore. Njerëzit e mendojnë veten më të zgjuar se Fjala e Zotit dhe bëhen gjykatësit e saj. “Por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.” Ne e pranojmë Librin e frymëzuar si të pagabueshëm dhe e provojmë vlerësimin tonë nëpërmjet bindjes sonë. Ne nuk tmerrohemi prej Fjalës, por kemi një frikë birnore ndaj saj. Ne nuk kemi frikë dënimet e saj, sepse kemi frikë urdhëresat e saj.
Kjo frikë e shenjtë e urdhërimit prodhon plotprehjen e përulësisë, që është shumë më e ëmbël se sa kryeneçësia e krenarisë. Bëhet për ne një udhëheqës në lëvizjet tona; një fre kur jemi duke shkuar tatëpjetë dhe një shtysë kur jemi duke u ngjitur lart. Të ruajtur prej së ligës dhe të shpjerë në drejtësi me anë të përnderimit tonë ndaj urdhërimit, ne fitojmë një ndërgjegje të qetë që është si vera e mirë; një ndijim çlirimi prej fajit, që është po ashtu si ringjallja mbas vdekjes; dhe një siguri se i pëlqejmë Perëndisë, që është parajsa poshtë. I paperëndishmi mund të përqeshë përnderimin tonë të thellë për Fjalën e Zotit, por edhe çfarë atëherë? Shpërblimi i thirrjes sonë të lartë është një ngushëllim i mjaftueshëm për ne. Shpërblimet e bindjes na bëjnë të përçmojmë përçmimet e përçmuesit.
18 tetor (Pas lotëve, korrje e gëzueshme)
“Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.”
{#Psalmi 126:5}
Kohët e pikëllimit janë të përshtatshme për mbjelljen: ne nuk do të donim që toka të jetë shumë e thatë. Fara e njomur në lotët e merakut të zellshëm do të mbijë akoma më herët. Kripa e lotëve lutjeplotë do t’i japin farës së mirë një aromë që do ta ruajë prej krimbit: e vërteta e folur me zell të jashtëzakonshëm ka një jetë të dyfishtë përbrenda. Në vend që ta ndalojmë mbjelljen tonë për shkak të pikëllimit tonë, le të dyfishojmë përpjekjet tona, sepse koha është kaq e volitshme.
Fara jonë qiellore nuk mund të mbillet ashtu siç duhet duke qeshur. Trishtim dhe shqetësim i thellë për shpirtrat e të tjerëve janë një shoqërim më i përshtatshëm i mësimit të përshpirtshëm se sa ndonjë gjë e ngjashme me mendjelehtësinë. Kemi dëgjuar për burra që qenë nisur për në luftë pa e peshuar mirë, por ama ata u mundën; dhe me siguri që është ashtu me ata që mbjellin sipas së njëjtës mënyrë.
Eja pra, zemra ime, mbill në qarjen tënde, sepse ke premtimin e një korrje të gëzueshme. Do të korrësh. Ti vetë do të shikosh rezultatin e mundit tënd. Kjo do të vijë te ty në një shkallë kaq të madhe sa të të japë gëzim, të cilin një korrje e varfër, e tharë dhe e paktë nuk do ta jepte dot. Kur sytë e tu janë të zënë me lot të argjend, mendo për grurin e artë. Mbaj me gëzim punën e rëndë të tanishme dhe kundërshtimin, sepse dita e korrjes do të të shpërblejë plotësisht.
19 tetor (Ndreqje me masë)
“Do të të ndëshkoj (ndreq) me drejtësi (me masë).”
{#Jeremia 30:11}
Të lihesh i pa ndrequr do të ishte një shenjë fatale: do të provonte atë që Zoti ka thënë, “është bashkuar me idhujt, lëre të veprojë.” E dhëntë Perëndia që ky të mos jetë kurrë risku ynë! Mbrothësia e pandërprerë është një gjë për ta pasur frikë dhe që duhet të na bëjë të dridhemi. Të gjithë ata që Perëndia do me butësi Ai i qorton dhe i ndreq; ata për të cilët Ai nuk ka vlerësim i lejon që të shëndoshen pa frikë, ashtu si viçat për thertore. Është në dashuri që Ati ynë qiellor përdor fshikullën e Tij ndaj fëmijëve të Tij. Prapëseprapë, shikoni se ndreqja është “me masë”: Ai na jep dashuri pa masë, por ndreqje “me masë.”
Po ashtu si nën ligjin e vjetër asnjë Izraelit nuk mund të pësonte më shumë se “dyzet goditje pa një,” gjë që siguronte numërim të kujdesshëm dhe vuajtje të kufizuar, po ashtu është me secilin prej pjesëtarëve të pikëlluar të vatrës së besimit—çdo goditje është e numëruar. Është me anë të masës së urtësisë, masës së simpatisë, masës së dashurisë që ndreqja jonë është e rregulluar. Larg qoftë nga ne që të rebelohemi kundra caktimeve kaq hyjnore. Zot, nëse qëndron pranë për të matur pikat e hidhura në kupën time, është gëzim për mua ta marr atë kupë prej dorës Tënde dhe të pi sipas udhëzimeve të Tua, duke thënë, “U bëftë vullneti yt.”
20 tetor (Prej çdo mëkati)
“Ai do të shpëtojë popullin e Tij prej mëkateve të tyre.”
{#Mateu 1:21}
Zot, më shpëto prej mëkateve të mia. Nëpërmjet emrit Tënd Jezus marr zemër të lutem kështu. Më shpëto prej mëkateve të mia të kaluara, që zakoni i tyre të mos të më mbajë të burgosur. Më shpëto prej mëkateve të mia të karakterit tim, që të mos jem skllav i vetë dobësisë sime. Më shpëto prej mëkateve që janë vazhdimisht nën sytë e mi, që të mos humbas tmerrin tim ndaj tyre. Më shpëto prej mëkateve të fshehta; mëkate të padallueshme prej meje prej mungesës sime të dritës. Më shpëto prej mëkateve të papritur dhe befasues: le të mos hiqem zvarrë prej një vërshim tundimi. Më shpëto, Zot, prej çdo mëkati. Mos lejo që ndonjë paudhësi të ketë pushtet mbi mua.
Ti vetëm mund ta bësh këtë. Nuk mund të thyej vetë zinxhirët e mi ose të vras vetë armiqtë e mi. Ti e njeh tundimin, sepse Ti u tundove. Ti e njeh mëkatin, sepse Ti e mbajte peshën e tij. Ti e di si të më vish në ndihmë në orën e konfliktit. Ti mund të më shpëtosh prej së mëkatuari dhe mund të më shpëtosh kur kam mëkatuar. Është e premtuar në vetë emrin Tënd se Ti do ta bësh këtë dhe të lutem që këtë ditë të vërtetoj profecinë. Mos lejo që t’i lë shteg pezmatimit, ose krenarisë, ose zemërlëshimit, ose çfarë do lloj forme ligësie, por më shpëto me të vërtetë për shenjtëri jete, që emri yt Jezus të mund të lëvdohet në mua me bollëk.
21 tetor (Tabela e shumëzimit e Perëndisë)
“Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.”
{#Isaia 60:22}
Veprat për Zotin shpesh fillojnë në një shkallë të vogël dhe nuk do të thotë se për këtë arsye kanë më pak vlerë. Dobësia edukon besimin, sjell Perëndinë afër dhe fiton lavdi për emrin e Tij. Shpërblimi premton rritje. Fara e sinapit është më e vogla mes farave dhe prapëseprapë bëhet pemë, me degë që strehojnë zogjtë e qiellit. Ne mund të fillojmë me një dhe “më të voglin,” dhe prapëseprapë “do të bëhet një mijëshe.” Zoti e përdor shumë mirë tabelën e shumëzimit. Sa shpesh që i tha shërbëtorit të Tij të vetëm, “Do të të shumoj fort!” Vendoseni besimin në Zotin, edhe pse një ose dy, sepse Ai do të jetë në mesin tuaj nëse jeni mbledhur në emër të Tij.
“Më i vogli.” Çfarë mund të jetë vallë më e përbuzshme në sytë e atyre që shikojnë numrin dhe fuqinë! Prapëseprapë kjo është bërthama e një kombi të madh. Vetëm një yll shkëlqen së pari në mëngjes, por shpejt qielli është i mbushur me drita të panumërta. Po ashtu ne nuk kemi pse ta mendojmë të largët perspektivën e rritjes, sepse premtimi është, “Unë, Jehovah, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.” Nuk do të ketë nxitim të parakohshëm si ai që shikojmë në mbledhje emocionale; gjithçka do të jetë në kohën e duhur, por prapëseprapë nuk do të ketë vonesë. Kur Zoti shpejton, shpejtësia e Tij është e lavdishme.
22 tetor (Merr në mbrojtje vetë premtimin e Tij)
“Ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit Tënd shtëpia e shërbëtorit Tënd do të jetë e bekuar përjetë!”
{#2 Samueli 7:29}
Ky është një premtim i marrë në mbrojtje dhe kështu që na jep një mësim të dyfishtë. Çdo gjë që Zoti Perëndi ka folur ne duhet ta marrim si të vërtetë dhe më pas ta paraqesim përpara fronit. Oh,sa e ëmbël të citosh atë çfarë vetë Perëndia ynë ka folur! Sa e çmueshme të përdorësh një “prandaj” që sugjeron premtimi, ashtu si Davidi bën në këtë varg! Ne nuk lutemi ngaqë dyshojmë, por ngaqë besojmë. Të lutesh pa besuar është e pahijshme për fëmijët e Zotit. Jo, Zot, ne nuk mund të të dyshojmë: jemi të bindur se çdo fjalë e Jotja është një themel i sigurtë për pritjen më të guximshme.
Ne vijmë te Ty dhe themi, “Bëj ashtu siç ke thënë.” Beko shtëpinë e shërbëtorit Tënd. Shëro të sëmurët tanë; shpëto ata tanët që dyshojnë; rimëkëmb ata që hallakaten; përforco ata që jetojnë me frikën Tënde. Zot, na jep ushqim dhe veshje sipas fjalës Tënde. Bëj të begatojnë ndërmarrjet tona; veçanërisht jepi sukses përpjekjeve tona për të bërë të njohur ungjillin Tënd në lagjen tonë. Bëji shërbëtorët tanë shërbëtorët e tu, fëmijët tanë fëmijët e tu. Le të rrjedhë bekimi për brezat e ardhshëm dhe për aq gjatë që ndonjë i racës sonë mbetet mbi tokë, le të mbetet besnik ndaj Teje. O Zot Perëndi “u bekoftë shtëpia e shërbëtorit Tënd.”
23 tetor (Korrja e dritës, gëzimi)
“Drita ka dalë (është mbjellë) për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.”
{#Psalmi 97:11}
Drejtësia është shpesh e kushtueshme për njeriun që e ruan atë me çdo kusht, por në fund ajo do të mbulojë shpenzimet e veta dhe në kthim do të japë një përfitim të pafund. Një jetë e shenjtë është si fara e mbjellur: një sasi e madhe hidhet përtokë dhe në dukje është e varrosur në tokë, për të mos u mbledhur më kurrë. E kemi gabim kur kërkojmë për korrje të menjëhershme, por gabimi është i natyrshëm, sepse duket e pamundur të varrosësh dritën. Prapëseprapë drita është “mbjellë,” thotë teksti. Qëndron e fshehtë: askush nuk mund ta shikojë atë, është e mbjellë. Jemi më se të sigurtë se një ditë do të shfaqet.
Jemi plotësisht të sigurtë se Zoti ka përgatitur një korrje për mbjellësit e dritës dhe ata do ta korrin, çdo njeri për veten e tij. Më pas do të vijë gëzimi i tyre. Duaj gëzimi për fara drite. Zemra e tyre ishte e drejtë përpara Zotit, edhe pse njerëzit nuk e kishin pandehur, madje edhe i censuruan: ata ishin të drejtë, edhe pse ata përreth tyre i denoncuan si censurues. Atyre iu desh të prisnin ashtu si bujku pret frytet e çmueshme të tokës, por drita ishte mbjellë për ta dhe gëzimi ishte duke u përgatitur prej Zotit të korrjes. Kurajë vëllezër! Nuk kemi pse të nxitojmë. Le të zotërojmë me durim shpirtrat tanë, sepse së shpejti shpirtrat tanë do të zotërojnë dritë dhe gëzim.
24 tetor (Stabilitet i perëndishëm)
“Unë do të të jap për këtë popull një mur të fortë prej bronzi; do të luftojnë kundër teje, por nuk do mund të fitojnë kundër teje, sepse unë do të jem me ty për të të shpëtuar dhe për të të çliruar”, thotë Zoti.”
{#Jeremia 15:20}
Stabiliteti në frikën dhe besimin në Perëndi do ta bëj një njeri si një mur prej bronzi, të cilin askush nuk mund ta rrëzojë ose ta thyejë. Vetëm Zoti mund t’i bëjë njerëzit të tillë, por ne kemi nevojë për njerëz të tillë në kishë dhe në botë, por sidomos në predikatore. Kundra njerëzve të paepur të së vërtetës kjo kohë gënjeshtre do të luftojë me dhëmbë e thua. Asgjë nuk duket se lëndon satanain dhe farën e tij ashtu si vendosmëria. Ata sulmojnë qëndrueshmërinë e shenjtë po ashtu si Asirianët mësynë qytete të fortifikuara.
Gëzimi është se ata nuk mund të mbizotërojnë kundra atyre që Perëndia i ka bërë të fortë në forcën e Tij. Të tërhequr zvarrë prej çdo ere doktrine, të tjerë merren tutje nga era, por ata që duan doktrinat e hirit ngaqë zotërojnë hirin e doktrinave, qëndrojnë si shkëmbinj në mes të deteve të furishëm. Nga vjen ky stabilitet? “Unë do të jem me ty, thotë Zoti”: kjo është përgjigja e vërtetë. Jehovah do të shpëtojë dhe do të çlirojë shpirtrat besnikë prej të gjitha mësymjeve të kundërshtarit. Mizëri janë kundra nesh, por Zoti i ushtrive është me ne. Ne nuk guxojmë të luajmë vendit as dhe një centimetër, sepse vetë Zoti na mban në vendin tonë dhe atje ne qëndrojmë përherë.
25 tetor (Së pari Perëndia, më pas shtesat)
“Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t`ju shtohen.”
{#Mateu 6:33}
Shiko se si hapet Bibla: “Në fillim Perëndia.” Le të hapet jeta juaj në të njëjtën mënyrë. Kërkoni me gjithë shpirtin tuaj, së pari dhe sidomos, mbretërinë e Perëndisë, si vendin e qytetarisë suaj dhe drejtësinë e Tij si karakteri i jetës suaj. Përsa i përket pjesës tjetër, do të vijë prej vetë Zotit pa qenë në merak në lidhje me të. Gjithçka që është e nevojshme për këtë jetë dhe për perëndishmërinë “do t’ju shtohen.”
Çfarë premtimi që është ky! Ushqim, veshje shtëpi dhe kështu e me radhë, Perëndia merr përsipër t’jua shtojë ndërsa e kërkoni Atë. Ju merreni me punët e Tij dhe Ai do të merret me punët tuaja. Nëse kërkoni ambalazh kur bleni artikuj të shtrenjtë do t’ju jepet; dhe po ashtu gjithçka që kemi nevojë për gjërat tokësore do të na shtohen me mbretërinë. Ai që është një trashëgimtar i shpëtimit nuk mund të vdesë prej urisë; dhe ai që e vesh shpirtin e tij me drejtësinë e Perëndisë nuk mund të lihet prej Zotit me një trup lakuriq. Larg shqetësimi i madh. Le ta përqendrojmë gjithë mendjen tonë në shikimin e Zotit. Lakmia është varfëri dhe ankthi është mjerim: mirëbesimi në Perëndi është një pasuri dhe ngjashmëria me Perëndinë është një trashëgim qiellor. Zot, të kërkoj, le të të gjej.
26 tetor (Për shkakun tonë)
“Por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.”
{#Mateu 24:22}
Për hir të të zgjedhurve të Tij Zoti pengon shumë gjykime dhe shkurton të tjerë. Në kohë mundimesh të rënda zjarri do të gllabëronte gjithçka nëse Zoti nuk do t’i shuante flakët për hir të të zgjedhurve të Tij. Kështu që, ndërsa shpëton të zgjedhurit e Tij për hir të Jezusit, Ai ruan gjithashtu njerëzimin për hir të të zgjedhurve të Tij. Çfarë nderi që është vendosur kështu mbi shenjtorët! Sa zellshëm që ata duhet që të përdorin ndikimin e tyre me Zotin e tyre! Ai do të dëgjojë lutjet e tyre për mëkatarët dhe do të bekojë përpjekjet e tyre për shpëtimin e tyre.
Ai bekon besimtarët që ata të mund të jenë një bekim për ata që janë në mosbesim. Shumë mëkatarë jetojnë për shkak të lutjeve të një nëne, ose gruaje, ose vajze, të cilët Zoti i respekton. A e kemi përdorur ashtu siç duhet fuqinë e veçantë që na ka besuar Zoti? A lutemi për vendin tonë, për vende të tjera dhe për kohën ku jetojmë? Në kohë lufte, zi buke, murtaje a dalim si ndërmjetës duke u përgjëruar që ditët të shkurtohen? A vajtojmë përpara Perëndisë për shkak të plasjes së mosbesnikërisë, gabimit dhe shthurjes morale? A i përgjërohemi Zotit tonë Jezus për të shkurtuar mbretërinë e mëkatit duke shpejtuar vetë shfaqjen e Tij të lavdishme? Le të biem në gjunjë dhe të mos prehemi kurrë derisa Krishti të shfaqet.
27 tetor (Shërbimi, fytyra, emri i Tij)
“Shërbëtorët e Tij do t`i shërbejnë; ata do të shohin fytyrën e Tij; dhe emri i Tij do të jetë mbi ballin e tyre.”
{#Zbulesa 22:4}
Tre bekime të zgjedhura do të jenë tonat në tokën e lavdisë. “Shërbëtorët e Tij do t’i shërbejnë.” Asnjë padron tjetër nuk do të na shtypë, asnjë shërbim tjetër nuk do të na mundojë. Ne do t’i shërbejmë Jezusit gjithmonë, përsosmërisht, pa lodhje dhe pa gabim. Kjo është parajsë për një shenjtor: në të gjitha gjërat t’i shërbesh Zotit Krisht dhe të pranohesh nga Ai si shërbëtori i Tij, është ambicia më e lartë e shpirtit tonë në përjetësi.
“Ata do të shohin fytyrën e Tij.” Kjo e bën shërbimin të këndshëm: me të vërtetë, është shpërblimi i tanishëm i shërbimit. Ne do të njohim Zotin tonë, sepse do ta shikojmë se si është Ai. Të shikosh fytyrën e Jezusit është favori më i madh që shërbëtori më i madh i Zotit mund të kërkojë. Çfarë më shumë mund të kërkonte Moisiu se sa—”tregomë fytyrën Tënde?”
“Emri i Tij do të jetë mbi ballin e tyre.” Ata vështrojnë te Zoti i tyre derisa emri i Tij të stampohet mbi ballin e tyre. Ata njihen prej Tij dhe ata e njohin Atë. Shenja e fshehtë e hirit të brendshëm zhvillohet në nënshkrimin publik të një marrëdhënie të rrëfyer.
O Zot, na jep këto tre gjëra në fillimin e tyre këtu, që të mund t’i zotërojmë në plotësinë e tyre në vetë banesën Tënde të lumturisë!
28 tetor (Mëkate paditurie)
“Ky mëkat do t’u falet, sepse është një mëkat i kryer nga padituria.”
{#Numrat 15:25}
Për shkak të paditurisë sonë ne nuk jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për mëkatet tona të paditurisë. Prapëseprapë mund të jemi të sigurtë se ato janë shumë, si në formën aktive ashtu dhe pasive. Mund të jemi duke kryer me sinqeritet të plotë, si shërbim për Perëndinë, atë që Ai nuk ka urdhëruar kurrë dhe që nuk mund ta pranojë kurrë. Zoti njeh secilin prej këtyre mëkateve të paditurisë. Kjo me të drejtë do të na alarmonte, përderisa me drejtësi Ai do të na kërkojë llogari për këto shkelje, por në anën tjetër, besimi shquan ngushëllim në faktin se Zoti do të përkujdeset që njollat e padalluar prej nesh prapëseprapë do të lahen.
Ai e shikon mëkatin më qëllim që të reshtë ta shikojë përsëri duke e hedhur atë mbrapa kurrizit. Ngushëllimi ynë i madh është se Jezusi, prifti i vërtetë, ka bërë shlyerjen për të gjithë bashkësinë e bijve dhe bijave të Izraelit. Kjo shlyerje siguron faljen e mëkateve të panjohur. Gjaku i Tij i çmuar na pastron nga çdo mëkat. Nëse sytë tanë e kanë parë atë ose jo dhe kanë qarë prej tij ose jo, sidoqoftë, Perëndia e ka parë atë, Krishti e ka shlyer, Fryma mban dëshmi për faljen e tij dhe kështu ne kemi një paqe të trefishtë. O Ati im, lëvdoj njohurinë Tënde hyjnore, që jo vetëm dallon paudhësitë e mia, por jep një shlyerje që më çliron prej fajit të tyre, madje edhe përpara se të di se jam fajtor.
29 tetor (Ruani dallimin)
“Unë do të bëj një dallim midis popullit Tim dhe popullit tënd. Nesër ka për të ndodhur kjo mrekulli.”
{#Eksodi 8:23}
Faraoni pati një popull dhe Zoti pati një popull. Këto mund të banojnë bashkë dhe mund të duken shumë të ngjashëm, por ka një dallim mes tyre dhe Zoti do ta bëjë të dallueshme. Nuk do t’i ndodhin përherë të gjithëve të njëjtat gjëra, por do të ketë një dallim të madh mes njerëzve të botës dhe popullit të zgjedhjes së Jehovait. Kjo mund të ndodhë në kohën e gjykimeve kur Zoti bëhet shenjtërorja e të shenjtëve të Tij. Bëhet shumë e spikatur në kthimin në besim kur mëkati i besimtarëve hiqet ndërsa jobesimtarët mbesin nën dënim.
Nga ai çast ata bëhen një racë e veçantë, hyjnë nën një disiplinë të re dhe gëzojnë bekime të reja. Shtëpitë e tyre që nga ai moment janë të lira prej luzmës së dhembshme të të ligave që fëlliqin dhe mundojnë Egjiptianët. Ata janë të ruajtur prej ndotjes së epshit, kafshimit të shqetësimit, korruptimit të gënjeshtrës dhe mundimit mizor të urrejtjes,që gllabërojnë shumë familje. Ji i sigurtë besimtar i sprovuar,se edhe pse ke trazirat e tua, je i shpëtuar prej luzmës më të keqe,që infekton shtëpitë dhe zemrat e shërbëtorëve të princit të botës. Zoti ka bërë një dallim; kini shumë kujdes që ta mbani dallimin në frymë, qëllim, karakter dhe shoqëri.
30 tetor (Pastrim i plotë)
“Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.”
{#Ezekiel 36:25}
Çfarë gëzimi i jashtëzakonshëm që është ky! Ai që na ka pastruar me gjakun e Jezusit do të na pastrojë gjithashtu me anë të ujit të Frymës së Shenjtë. Perëndia e ka thënë këtë dhe kështu duhet të jetë, “Do të jeni të pastër.” Zot, ne e ndjejmë papastërtinë tonë dhe vajtojmë prej saj, dhe është e gëzueshme të sigurohesh prej vetë gojës Tënde se do të jemi të pastër. Oh shpejto për këtë! Ai do të na çlirojë prej mëkateve tona më të këqija.
Ngritja e mosbesimit, epshet mashtruese që i bëjnë luftë shpirtit, mendimet e poshtra të krenarisë dhe sugjerimet e satanait për të blasfemuar emrin e shenjtë—të gjitha këto do të pastrohen sa për të mos u kthyer më. Ai do të na pastrojë gjithashtu prej të gjithë idhujve tanë, qofshin këta prej ari ose prej argjile: prej dashurive tona të papastra dhe prej dashurisë të tepërm ndaj asaj që në vetvete është e pastër. Atë që e kemi pasur idhull ose do të ndahet prej nesh ose ne do të shkëputemi prej saj. Është Perëndia Ai që flet për atë çfarë Ai vetë do ta bëjë. Prandaj kjo fjalë është e provuar dhe e sigurtë dhe ne me guxim mund të kërkojmë atë çfarë ajo na garanton. Pastrimi është një bekim besëlidhje dhe besëlidhja parashikon çdo gjë dhe është e sigurt.
31 tetor (I pavdekshëm derisa puna të jetë kryer)
“Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.”
{#Psalmi 118:17}
Siguri e bukur kjo! Pa dyshim që ishte e bazuar mbi një premtim, i pëshpëritur përbrenda në zemrën e Psalmistit, të cilin ai e mbërtheu dhe e gëzoi. A është rasti im ashtu si ai i Davidit? A jam i demoralizuar ngaqë armiku triumfon mbi mua? A ka mizëri kundra meje dhe pak në anën time? A më shtrëngon mosbesimi të shtrihem poshtë dhe të vdes në dëshpërim—një njeri i mundur, i çnderuar? A po fillojnë armiqtë e mi të hapin varrin tim?
E çfarë atëherë? A do të dorëzohem para pëshpërimës së frikës, të heq dorë nga beteja dhe nga nga çdo shpresë? Larg qoftë! Ka akoma jetë përbrenda meje: “Unë nuk do të vdes.” Fuqia do të kthehet dhe do heqë dobësinë time: “Do të jetoj.” Zoti jeton dhe unë do të jetoj gjithashtu. Goja ime do të hapet përsëri: “Do të tregoj veprat e Jehovait.” Po dhe do të flas për trazirën e tanishme si një tjetër shembull i besnikërisë dhe dashurisë mrekullibërëse të Zotit Perëndisë sime. Ata që me gëzim do të më përgatisnin për në arkivol, do të bënin mirë që të prisnin dhe pak, sepse “Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.” Lavdi emrit të Tij përjetë! Jam i pavdekshëm derisa puna ime të përfundojë. Derisa Zoti do, nuk mund të vdes.