Ringjallje me Krishtin
Predikimi nr. 805
Ditën e Zotit, 12 prill 1868
Nga C.H.Spurgeon
Në Tabernakullin Metropolitan, Njuington.
“Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së Tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit).” Efezianët 2:4,5.
Së fundmi ka pasur konferenca ku janë mbledhur lloj lloj njerëzish dhe mbi subjekte nga më të ndryshmet, por sa gjë e jashtëzakonshme do të ishte një konferencë ku të merrnin pjesë njerëz të ngjallur prej së vdekurish! Sikur të mundje në një mënyrë a tjetër të sillje bashkë vajzën e Shunamites, vajzën e Jariusit, birin e të vesë në portat e Nainit, Llazarin dhe Eutikun, çfarë shoqërimi të çuditshëm që ata do të mund të kishin me njëri tjetrin! Kush i merr me mend hulumtimet që do të mund të bënin dhe zbulimet e pazakonta që do të na paraqisnin! Sidoqoftë, kjo gjë nuk është e mundur, megjithatë një asamble më e mirë dhe më e spikatur mund të mblidhet shpejt në të njëjtat kushte dhe mund të fitohet informacion më i vlefshëm prej rrëfimeve të anëtarëve të saj.
Këtë mëngjes ne kemi një konferencë të këtij karakteri të mbledhur në këtë vend, sepse shumë prej nesh ishim të vdekur në faje dhe mëkate, po ashtu si të tjerët, por ne shpresojmë se përmes energjisë hyjnore jemi ngjallur prej asaj vdekjeje shpirtërore dhe po jetojmë tani për të përlëvduar Perëndinë! Do të jetë mirë për ne të flasim bashkërisht, të vizitojmë të kaluarën, të gëzohemi në të tashmen, të shikojmë përpara në të ardhmen. “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe mëkate”. Dhe teksa jeni mbledhur bashkë, një bashkësi burrash dhe grash që janë lindur përsëri, jeni një konklavë akoma më e spikatur se sa po të ishin ngjallur vetëm trupat tuaj dhe jo frymët tuaja!
Pjesa e parë e fjalimit të këtij mëngjesi do të zihet me një solemnitet me të cilën do t’ju çojmë në morg. Së dyti, do të kalojmë pak kohë duke këqyrur një mrekulli dhe do të vërejmë njerëz të vdekur që jetojnë. Më pas do të kthehemi të vëzhgojmë një bashkësi që tregohet në tekst dhe do ta mbyllim me një këngë, sepse teksti lexohet disi si një pjesë muzikore—është plot me falënderim dhe falënderimi është thelbi i këngës së vërtetë. Është plot me habi të shenjtë dhe adhuruese! Është gjithmonë poezi e vërtetë edhe pse e shprehur ne prozë.
I. Le të kremtojmë së pari një SOLEMNITET të madh dhe të zbresim në morgun e natyrës sonë të gjorë njerëzore. Sipas mësimit që na jep Shkrimi i shenjtë, njerëzit janë të vdekur, shpirtërisht të vdekur. Disa njerëz mendjelehtë mund të mendojnë se njerëzit janë veç pak të çrregulluar dhe të mavijosur prej Rënies, të plagosur në disa gjymtyrë të brishta, por ama jo të goditur për vdekje. Sidoqoftë Fjala e Perëndisë është shumë e drejtpërdrejtë mbi këtë çështje dhe deklaron për sojin tonë jo se është plagosur, as se thjesht është lënduar, por e deklaron të vrarë dhe të lënë e vdekur në faje dhe mëkate.
Ka nga ata që përfytyrojnë se natyra e rënë njerëzore është veçse në një lloj zalisje ose gjendje të këputur dhe se ka nevojë veçse për një proces gjallërimi për ta ndrequr. Nuk u dashka veçse, me anë të edukimit ose manipulimeve të tjera, të vësh në lëvizje lumenjtë e jetës dhe të nxitësh brenda saj një shkallë veprimi, dhe më pas jeta do të zhvillohej me shpejtësi. Ata thonë se ka mjaftueshëm të mirë në çdo njeri, por që ka nevojë veç ta nxjerrësh jashtë me anë të trajnimit dhe shembullit. Ky trillim është pikërisht e kundërta e mësimit të Shkrimit të shenjtë! Brenda këtyre faqeve të vërteta ne nuk lexojmë gjë për ndonjë zalisje as për ndonjë paralizë të përkohshme; VDEKJA është emri për gjendjen e natyrës sonë—dhe ngjallja është nevoja e saj më e madhe.
Njeriu nuk është pjesërisht i vdekur, ashtu si marinari gjysmë i mbytur te i cili mund të vazhdojë të mbesë akoma ndonjë shkëndijë jete nëse tregohet përkujdesje dhe vëmendje e duhur. Nuk ka as dhe një shkëndijë jete shpirtërore që ka mbetur te njeriu; njeriu është për gjërat shpirtërore krejtësisht një kufomë. “Ditën që do të hash prej saj me siguri ke për të vdekur,” i tha Perëndia prindërve tanë të parë dhe ata vdiqën me të vërtetë, një vdekje shpirtërore, dhe të gjithë fëmijët e tyre me të njëjtën natyrë qëndrojnë në këtë vdekje shpirtërore. Nuk është një vdekje e shtirur ose një vdekje metaforike, por një vdekje reale, absolute dhe shpirtërore. Prapëseprapë dikush do të thoshte, “A nuk janë gjallë vallë?” Ashtu është në fakt, por jo shpirtërisht. Ka shkallë jete. E para, jeta bimore, por jeta bimore është gjë e vdekur para gjallërisë së jetës kafshore. Mbi jetën kafshore ngrihet jeta mendore, një jetë shumë më e epërme. Krijesa, kur bëhet fjalë për kafshët, është gjë e vdekur përsa i përket gëzimeve dhe trishtimeve të jetës mendore.
Më pas, shumë më lart asaj mendore, po aq sa jeta mendore gjendet mbi atë kafshore, ngrihet ajo që Shkrimi e quan jeta shpirtërore, jeta në Krishtin Jezus. Gjithë njerëzit kanë pak a shumë nga jeta mendore dhe është gjë e mirë kur ata e kultivojnë atë, të marrin sa më shumë të munden nga kjo jetë. Është gjë e mirë që e përdorin sa më mirë dhe e vënë në shërbim të qëllimeve më të larta. Njeriu, edhe kur shihet veç si një krijesë që jeton mendërisht, nuk duhet përçmuar dhe nënvlerësuar. Por gjithsesi, jeta mendore nuk mund të ngrihet dot vetë në jetën shpirtërore, nuk mund të depërtojë përtej atij muri mistik që ndan përgjithmonë thjesht jetën e mendjes nga jeta e atij parimi të ri, Fryma, që është filizi i Perëndisë dhe është fara e gjallë dhe e pakorruptueshme që Ai hedh në shpirt.
Nëse do të përfytyronit një njeri në çdo aspekt njësoj me ju përveç me këtë dallim, se shpirti i tij është shuar brenda tij, se ai zotëron veç aftësi kafshore pa pasur aftësi mendore, aq sa mund të marrë frymë dhe të ecë, të flejë, të hajë, të pijë dhe të bëjë zhurma, por çdo fuqi mendore ka shkuar, atëherë ju do të flisnit për të si krejtësisht të vdekur përsa i përket përpjekjeve mendore. Mund të jetë një kafshë tejet e fuqishme dhe e mirëzhvilluar, por ana njerëzore ka vdekur. Nuk do t’ia vlente t’i shpjegoje ndonjë hipotezë ose të zgjidhje ndonjë problem në dërrasën e zezë për ta mësuar ose t’i jepje edhe më të thjeshtin libër, sepse nëse nuk ka mendje për të nxënë, si mund të përçosh gjë?
Tani, shpirtërisht, kjo është gjendja e çdo njeriu të paripërtëritur. Nuk ia vlen aspak, përveç nëpërmjet Frymës së Perëndisë, të shpresosh ta bësh një njeri të kuptojë gjërat shpirtërore, sepse ata gjykohen shpirtërisht, thotë Apostulli.
Mendja mishore nuk mund t’i kuptojë gjërat që janë nga Perëndia; edhe atëherë kur trajnohet më së miri, nuk ka asnjë dritëz të kuptimit të brendshëm të gjërave shpirtërore. Pengohet te shkronja dhe humbet kuptimin e vërtetë, jo prej mungesës së kapacitetit mendor, por prej mungesës së jetës shpirtërore. O bij të njeriut, nëse doni ta njihni Perëndinë, “Duhet të lindni përsëri.” “Nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë”. Nuk mund ta rrokë, nuk mund ta njohë. Mendja mishore nuk mund të kuptoj gjërat që janë nga Perëndia, të cilat janë të përjetshme dhe të padukshme, jo më shumë se një ka mund të kuptojë nga astronomia ose se një peshk mund të admirojë veprat letrare të antikitetit. Jo në një kuptim moral apo kuptim mendor, por në një kuptim shpirtëror, njerëzimi i gjorë është i vdekur, dhe të tillë e përshkruan në vazhdimësi dhe prerazi Fjala e Perëndisë.
Bëni një hap me mua më pas në varr dhe çfarë vëreni te ata trupat e dergjur atje duke fjetur? Ata janë krejt të pandërgjegjshëm. Çfarëdo që të ndodhë përreth tyre, asgjë nuk i gëzon a pikëllon. Mbi të vdekurit në varrin e tyre mund të marshojnë ushtri triumfuese, por ata nuk brohorasin bashkë me ta triumfues. Ose, miqtë që ata kanë lënë mbrapa, mund të ulen aty pranë dhe të njomin barin mbi pirgun e gjelbër të dheut me lotët e tyre, por asnjë psherëtimë nuk vjen si përgjigje nga shpella e errët e varrit.
Kështu ndodh me njerëzit shpirtërisht të vdekur; ata nuk preken nga gjërat shpirtërore. Një shpëtimtar duke dhënë shpirt, rënkimet e të Cilit mund të preknin dhe vetë gurët dhe të shkrinin shkëmbinjtë, të vdekurit shpirtërisht mund t’i dëgjojnë të gjitha, por zemrat e tyre mbesin të pandjeshme. Edhe Fryma e kudopranishme nuk dallohet nga ata dhe pushteti i Tij nuk njihet. Engjëjt, shenjtorët, ushtrimet e perëndishme, aspirata të devotshme, të gjitha këto janë përtej dhe mbi botën e tyre. Sëmbimet e ferrit nuk i alarmojnë dhe gëzimet e parajsës nuk i tërheqin; ata dëgjojnë në një farë mënyre, mendërisht, por veshi frymëror është krejt i mbyllur dhe ata nuk dëgjojnë; ata janë të pandërgjegjshëm për të gjitha ato gjëra që janë të një karakteri shpirtëror, kanë sy, por nuk shohin, kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Mund të fitosh interesin e tyre me faktet shkencore apo veprat e artit, por nuk mund të fitosh dot zemrat e tyre për emocione dhe thellime shpirtërore, sepse ata janë të pavetëdijshëm për domethënien e tyre, ashtu si një gocë deti apo kërmill është i paditur mbi ngjarjet e këtij vendi. Njerëzit mishorë i përgjigjen përçart fjalëve të para të njohurisë shpirtërore ashtu si Nikodemi që, kur iu tha se duhet të lindte përsëri, u përpoq të kuptonte më shumë me pyetjen, “Po si mund të lindë njeriu kur është plak?” ose, ashtu si gruaja samaritane, e cila, kur iu tha për ujin e gjallë, nuk mundi ta kuptonte të vërtetën shpirtërore dhe klithi e habitur, “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?” Njerëzit janë shpirtërisht të pandërgjegjshëm për të vërtetën shpirtërore dhe janë krejtësisht të vdekur për të.
Vini re atë kufomë: mund ta godisni, mund ta shtypni, por nuk do të bëjë zë. Mund ta ngarkosh me pesha të rënda, por nuk lodhet, mund ta mbyllësh në errësirë, por nuk e ndjen zymtësinë. Po kështu edhe njeriu i pakthyer në besim është i ngarkuar me barrën e mëkatit të vet, por nuk është i lodhur nga kjo barrë; ai është i mbyllur në burgun e drejtësisë së Perëndisë, por ai nuk lëngon për liri; ai është nën mallkimin e Perëndisë, ashtu siç është e shkruar, “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t`i praktikuar,” por ky mallkim nuk trazon frymën e tij, sepse ai është i vdekur. Vërtet që disa prej jush mund të jenë në paqe, ngaqë nuk jeni të vetëdijshëm për tmerret që ju rrethojnë. Një njeri krejtësisht i shurdhët nuk trembet nga gjëmimi i bubullimës; nëse krejtësisht i verbër, nuk alarmohet nga shkrepjet e vetëtimës, nuk i druhet stuhisë që nuk e sheh. Pikërisht kështu është me ju që jeni rehat në mëkatet tuaja; ju nuk mund të dalloni rrezikun e mëkatit tuaj, nuk rrokni tmerrin që vjen nga kjo gjë, përndryshe më lejoni t’ju them se nuk do të kishte gjumë për ato sy të shfrenuar, nuk do të kishte prehje për ato frymë të çoroditura. Do të klithnit me zemërtherje po atë çast që do të fitonit jetën dhe as nuk do të gjenit prehje derisa të çliroheshit nga ato të liga që TANI garantojnë për ju një mallkim të sigurt. Oh, sikur të ishit të gjallë, nuk do të rrinit të qetë derisa të shpëtoheshit nga zemërimi që ka për të ardhur! Njeriu mbetet i pandërgjegjshëm për gjërat shpirtërore dhe i pandjeshëm ndaj tyre, sepse, në kuptimin shpirtëror, ai është i vdekur.
Ftojeni atë kufomë t’ju ndihmojë në punët më të domosdoshme të filantropisë; murtaja ka shpërthyer, kërkojini të varrosurit të gjunjëzohet bashkë me ju dhe t’i bëjë thirrje fuqisë së qiejve për të larguar korrierin e tmerrshëm. Ose, nëse ai parapëlqen, kërkojini t’ju ndihmojë me pastrimin e ajrit dhe ndërhyrje të tjera sanitare; kërkoni më kot, sado i nevojshëm apo i thjeshtë veprimi i kërkuar, ai nuk mund t’ju ndihmojë dhe në gjërat shpirtërore pikërisht kështu është me të pahirësuarit. Njeriu mishor mund ta vendosë veten në pozitën e lutjes, por nuk mund të lutet, mund të hapë gojën dhe të nxjerrë tinguj të ëmbël të një melodie tokësore, por është krejtësisht i huaj ndaj përlëvdimit të vërtetë të Perëndisë. Edhe vetë pendimi, ai hir i butë dhe i dashur që duhet të jetë i natyrshëm për mëkatarin, është tërësisht i paarritshëm. Si mund të pendohet për mëkatin, ai që nuk e ndjen peshën e tij? Si mund të lutet për një bekim ai që nuk ka fuqi ta rrokë vlerën e tij? Si mund të përlëvdojë një Perëndi ai që ndjen se nuk ka pjesë aty dhe që nuk gjen ëndje me ekzistencën e Tij? Po them se për sa i përket gjërave shpirtërore, njeriu është po aq i paaftë sa një i vdekur është për gjërat dhe punët e jetës së përditshme. “Mirëpo,” po thotë dikush, “të dëgjuam të dielën e fundit t’u thoshe këtyre njerëzve të vdekur që të pendoheshin dhe të ktheheshin në besim.” E di që më keni dëgjuar dhe do të më dëgjoni sërish duke bërë të njëjtë gjë, mirëpo pse i drejtohem kështu të vdekurve dhe u them të bëjnë veprime që nuk mund t’i bëjnë dot? Sepse Mjeshtri im më urdhëron dhe ndërsa i bindem porosisë së Mjeshtrit tim, del një fuqi bashkë me fjalën e shprehur dhe të vdekurit zgjohen nga gjumi i tyre! Ata zgjohen nëpërmjet fuqisë gjallëruese të Frymës së Shenjtë dhe ata që natyrshëm nuk mund të pendohen dhe të besojnë, pendohen dhe besojnë me të vërtetë në Jezusin, i shpëtojnë mëkateve të tyre të mëparshme dhe jetojnë. Por, më besoni, nuk është vetë fuqia e tyre që i zgjon ata nga gjumi i vdekjes dhe as fuqia ime që ndal fajtorin, ndërgjegjen e dremitur; është një fuqi hyjnore të cilën Perëndia ia tejçon fjalës që Ai shpreh kur ajo predikohet plotësisht dhe besnikërisht. Prandaj dhe ne jemi angazhuar në thirrjen tonë të përditshme ndaj njerëzve të vdekur që këta të jetojnë, sepse jeta vjen me thirrje hyjnore, por ama ata vërtet që të vdekur janë, tërësisht të vdekur dhe sa më gjatë që jetojmë, aq më shumë e ndjejmë se ashtu është dhe sa më shumë që shqyrtojmë vetë gjendjen tonë para kthimit në besim dhe sa më shumë ekzaminojmë vetë gjendjen tonë edhe tani, akoma më shumë e kuptojmë se njeriu është i vdekur në mëkat dhe jeta është një dhuratë, një dhuratë nga qielli, një dhuratë e dashurisë së pamerituar dhe hirit sovran, kështu që të gjallët, secili prej tyre, duhet të përlëvdojnë Perëndinë dhe jo veten e tyre.
Një prej reflektimeve më të trishtueshme mbi natyrën e vdekur njerëzore është se çfarë do të bëhet me të; vdekja në vetvete, edhe pse diçka solemne, nuk është aq e lemerishme sa pasojat e saj. Shpesh herë kur atë trup të shtrenjtë sapo e ka lënë shpirti, ata që kanë humbur një njeri të dashur e kanë mbuluar me puthje atë ballë të ftohtë; ai trup pa shpirt është dukur me një pamje madje më të bukur se sa i gjallë dhe kur miqtë i kanë dhënë shikimin e fundit, nuk ka pasur asgjë të neveritshme, por përkundrazi pamja ka qenë emocionuese. Të vdekurit tanë janë dukur sikur kanë buzëqeshur si engjëj në gjumë ndërsa ne i varrosnim. Ah, mirëpo nuk mund ta shkundim nga vetja një ndijim shpirtdërrmues të asaj çfarë me siguri do të shfaqet së shpejti. Është vetëm një çështje kohe para se korruptimi të nisë duke sjellë me vete në mënyrë të pashmangshme bijën e tij kalbjen dhe dalëngadalë, korruptimi do të bëhet kaq i neveritshëm sa nëse trupi do të ishte mbajtur i pavarrosur për një kohë të gjatë, do të kishit klithur bashkë me Abrahamin, “të varros të vdekurën time dhe ta heq nga sytë e mi,” sepse rezultati i natyrshëm dhe i pashmangshëm i vdekjes është korruptimi. Kështu është me ne të gjithë. Disa janë dukshëm të korruptuar, ah, sa shpejt, ndërsa ata janë akoma të rinj, i shohim të zhytur në ves të turpshëm; ata janë të korruptuar në gjuhën e tyre me fjalë gënjeshtare dhe të folur epshore; ata janë të korruptuar në sytë e tyre me shikime pa fre; të korruptuar, me siguri në zemër dhe më pas plotësisht të korruptuar në jetën e tyre. Ka shumë të tillë që hasim në rrugë përreth nesh, me një kundërmim të korruptimit të tyre që na shtrëngon t’i largojmë nga shoqëria, sepse ne vetë jemi shumë të pranueshëm. Edhe madje ata që janë vetë të vdekur shfaqin kaq skrupuj sa të mos shoqërohen me ata që kanë shkuar aq larg në korruptim. Të vdekurit varrosin të vdekurit e tyre dhe rrokullisin gurin dhe heqin tutje të shthururin dhe imoralin. Ne nuk i duam mëkatarët e kalbur në shtëpitë tona, sepse ata mund të na korruptojnë shumë shpejt dhe i bëjmë qejfin vetes se ne jemi shumë më superiorë, ndërkohë që ata janë veç një hap a dy hapa larg në një garë ku gjithë njerëzit e papërtërirë janë duke vrapuar. Ky korruptim, edhe pse jo i zhvilluar në mënyrë të dukshme te të gjithë, do të shfaqet hapur në fund fare në një botë tjetër. Kur Perëndia do të na shohë përfundimisht të vdekur, Ai do të na flakë atje ku krimbi nuk vdes dhe zjarri nuk shuhet. Se cili do të jetë në ferr zhvillimi i një karakteri të papërtërirë, nuk e di, por jam i sigurt do të jetë diçka që imagjinata ime nuk guxon ta përshkruajë, sepse gjithë kufizimet e kësaj jete që i kanë mbajtur njerëzit të përmbajtur dhe moralë do të kenë ikur tutje kur ata të kenë shkuar në botën tjetër të mëkatit! Dhe ashtu si parajsa ka për të qenë përkryerja e shenjtërisë së shenjtorit, po ashtu ferri do të jetë përkryerja e neverisë së mëkatarit dhe atje ai do të zbulojë dhe të tjerë do të zbulojnë se çfarë është mëkati në shkallën e tij më të ligë. “Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.” Dhe po të kujtoj solemnisht dëgjues i dashur se ky do të jetë risku yt përgjithmonë dhe përjetë, nëse Perëndisë nuk i pëlqen të të ngjallë! Nëse nuk sillesh në jetë bashkë me Krishtin, do të jesh i vdekur në këtë botë, ndoshta i korruptuar në këtë botë, por me siguri i tillë në botën tjetër ku gjithë ndikimet e lemerishme të mëkatit do të zhvillohen dhe do të zbulohen plotësisht dhe do të flakesh larg nga prania e Perëndisë dhe lavdia e fuqisë së Tij.
Nuk mund të ketë vdekje në parajsë dhe prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen dhe nëse nuk je ripërtërirë në frymën e mendjes tënde, brenda atyre portave prej perlash nuk mund ta kesh kurrë pjesën tënde dhe atje ku drita e parajsës shkëlqen në dritë dielli të përhershme nuk ke risk. Të lutem që t’i peshosh mirë këto gjëra. Nëse nuk janë sipas këtij libri, hidhi poshtë! Por përderisa janë të tilla me siguri, mos i refuzo në dëmin tënd, por përkundrazi le të zotërojnë frymën tënde të kujdesshme dhe të të prijnë të kërkosh dhe të gjesh jetë të përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin.
II. Tani do ta ndryshojmë subjektin për diçka më të pëlqyeshme, dhe vini re një MREKULLI, të vdekurit, të kthyer në jetë!
Objektivi i madh i ungjillit të Krishtit është t’i bëjë njerëzit krijesa të reja në Krishtin Jezus, synon ringjalljen dhe e përmbush. Ungjilli nuk erdhi në këtë botë thjesht për të përmbajtur pasionet e njerëzve apo të edukojë njerëzit me parime, por t’i tejçojë atyre një jetë të re, që si njerëz të rënë, ata nuk e kanë. Pashë dje atë çfarë më duket si një portret i atyre predikuesve që kanë si qëllim dhe synim të vetëm të moralizojnë dëgjuesit e tyre, por që nuk kanë mësuar nevojën për një jetë të mbinatyrshme. Jo shumë larg nga bregdeti kishte ja dhjetë a më shumë barka në det duke tërhequr në rrjetat e tyre dy trupa të vdekur. Ata po përdornin litarët dhe kanxhat e tyre dhe duke vozitur dhe u përpjekur fort, po bënin më të mirën e tyre në mënyrë të admirueshme për të nxjerrë të humburit nga deti mizor. Nuk e di a patën sukses, por nëse po, çfarë mund të bënin më tej me ato trupa veçse t’ia dorëzonin me dinjitet nënës tokë? Procesi i edukimit dhe çdo gjë tjetër, pa Frymën e Shenjtë, është një zvarritje e njerëzve të vdekur, për t’i vendosur ata me dinjitet krah për krah, me rregull dhe varrosje dinjitoze, por asgjë më shumë njeriu nuk mund të bëjë për njeriun. Ungjilli i Jezu Krishtit ka krejtësisht një tjetër detyrë dhe një detyrë më të lartë; nuk mohon përpjekjet e moralizuesit dhe as nuk kritikon rezultatet e edukimit, por pyet se çfarë mund të bësh më shumë dhe përgjigjja është, “asgjë.” Pikërisht këtu urdhëron mbajtësin e arkivolit të largohet dhe të bëj vend për Jezusin, me zërin e të Cilit të vdekurit ngjallen. Predikuesi i ungjillit nuk mund të mbetet i kënaqur thjesht me nxjerrjen e njerëzve jashtë detit të mëkatit të jashtëm; ai dëshiron fort të shohë mëkëmbjen e jetës së humbur. Ai dëshiron që te ata të hukatet një jetë e re dhe më e lartë nga ajo që kanë zotëruar më parë. Vazhdo punën tënde edukim, bëj më të mirën tënde, je i dobishëm në sferën tënde; vazhdo punën tënde mësues i moralit, bëj më të mirën tënde, edhe ti je i dobishëm sipas mënyrës tënde, por nëse bëhet fjalë për atë çfarë njeriu me të vërtetë ka nevojë për përjetësinë, ju të gjithë bashkë vleni pak; ungjilli dhe vetëm ungjilli i përgjigjet kërkesave të njerëzve, njeriu duhet të jetë i ripërtërirë, i ngjallur, duhet të bëhet krijesë e re, duhet t’i hukatet frymë e re nga qielli, përndryshe vepra e shpëtimit të tij nuk ka filluar akoma. Teksti na thotë se Perëndia e ka bërë këtë gjë për njerëzit e Tij, për ata që e kanë vendosur besimin e tyre te Ai. Le të vëzhgojmë kockat e thara ndërsa lëvizin dhe qëndrojnë para Zotit dhe duke i vëzhguar, le të përlëvdojmë Zotin që sipas dashurisë së Tij të madhe me të cilën na deshi, Ai na ka ngjallur bashkë me Krishtin!
Në këtë idenë e ngjalljes, ka një mister. Çfarë është ajo diçka-ja e padukshme që ngjall një njeri? Kush mund ta zbulojë sekretin? Kush mund ta gjurmojë jetën deri te burimi i saj i fshehur? Vëlla, ti je një fëmijë i gjallë i Perëndisë; çfarë të bëri të jetosh? Ti e di se ndodhi përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë. Sipas dhe gjuhës së tekstit tonë, e gjen burimin te Perëndia, ti beson se jeta jote e re vjen nga një mbjellje hyjnore; ti beson në të mbinatyrshmen, beson se Perëndia të ka vizituar, nuk ka vizituar njerëz të tjerë dhe ka hukatur jetë brenda teje. Ti beson gjënë e duhur, por nuk mund ta shpjegosh dot, nuk e dimë nga vjen era as ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që ka lindur nga Fryma. Ai që do të ulej qëllimisht dhe do të përpiqej të shpjegonte ripërtëritjen dhe burimin e saj, mund të qëndrojë ulur kështu derisa të kthehej në një statujë mermeri përpara se të përmbushte detyrën. Fryma e Shenjtë hyn brenda nesh dhe ne që kemi qenë më parë të vdekur për gjërat shpirtërore, fillojmë të jetojmë nëpërmjet fuqisë së Frymës që banon brenda nesh. Ai është punëtori i madh, por se si Fryma e Shenjtë punon, është një sekret që i takon veç vetë Perëndisë. Nuk kemi pse dëshirojmë të kuptojmë mënyrën e Tij, mjafton për ne që të kemi pjesë në këtë rezultat.
Është pra një mister i madh, por ndërsa mbetet një mister, është një realitet i madh. Ne e dimë dhe japim dëshmi dhe kemi të drejtën të besohemi, sepse ne besojmë se nuk e kemi humbur karakterin tonë, ne e dimë dhe japim dëshmi se jemi tani zotërues të një jete për të cilën nuk dinim asgjë disa vite më parë, se po ekzistojmë tani në një botë të re dhe dukja e gjithë gjërave jashtë nesh ka ndryshuar krejtësisht nga më përpara. “Gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” Jap dëshmi se tani përjetoj trishtime që nuk ishin trishtime për mua para se të njihja Zotin dhe se zemra ime lartësohet me gëzime me të cilat do të kisha qeshur vetëm nga mendimi i tyre nëse dikush do të m’i kishte zënë me gojë para se jeta hyjnore të më kishte ngjallur. Kjo është dëshmia e qindrave prej nesh dhe edhe pse të tjerë nuk na besojnë, ata nuk kanë të drejtë të mohojnë vetëdijen tonë ngaqë nuk kanë përjetuar të njëjtën gjë. Nëse nuk e kanë provuar ndonjëherë, çfarë vallë do të dinin mbi të? Nëse do të kishte një asamble të verbërish dhe njërit prej tyre t’i hapeshin sytë dhe të fillonte të fliste mbi atë që sheh, përfytyroj gjithë të verbrit duke thënë, “Sa i marrë ky! Nuk ka gjëra të tilla.” “Kam jetuar në këtë botë për 70 vite,” thotë njëri, “dhe kurrë nuk pashë atë gjë që ai e quan ngjyrë dhe nuk besoj në gjepurat e tij absurde mbi të kuqen e ndezur dhe ngjyrën vjollcë, të zezën dhe të bardhën, e gjitha kjo është çmenduri!” Një tjetër i gjithëditur thotë, “i kam rënë kësaj bote kryq e tërthor për 40 vjet dhe deklaroj se nuk e kam pasur kurrë idenë për blunë apo jeshilen, po ashtu edhe babai im para meje; ai ishte një njeri shpirtmirë dhe gjithmonë ka dalë në mbrojtje për të vjetrën errësirë të dendur. Më jep, thotë ai, “një bastun të mirë dhe një qen të stërvitur dhe gjithë nocionet e tua mbi yjet, diejt dhe hënat, ua lë atyre budallenjve që i pëlqejnë.” I verbri nuk ka hyrë në botën e dritës dhe ngjyrës dhe njeriu i paripërtërirë nuk ka hyrë në atë botë frymërore dhe prandaj asnjëri prej tyre nuk është i aftë për të gjykuar drejt. Isha ulur një ditë gjatë një darke zyrtare, përballë një xhentëlmeni shijehollë që dukej se i njihte më së miri verërat dhe likeret dhe gjithë gatimet e tavolinës. Ai jepte vlerësimin dhe kritikat e tij me një shpejtësi të tillë sa mendova se ai duhej të ishte punësuar si kryegustator nga tregtarët tanë të mëdhenj të artikujve ushqimorë! Ai kishte zhvilluar një palë buzë fine dhe i përplaste shpesh, qiellza e tij gjithmonë ishte duke vlerësuar, ai kishte njohuri të mira si për sasinë ashtu edhe për cilësinë dhe i kollofiste gatimet dhe pijet pa lënë asgjë mbi tavolinë! Balli i tij i futur, hunda ngjyrë purpurt dhe buzët e kërcyera e bënin atë, të paktën ndërsa hante, të ngjasonte më shumë me një kafshë se sa me një njeri. Në fund, mbasi dëgjoi një bisedë të shkurtër përreth tij mbi çështje të besimit, ai hapi sytë e tij të vegjël dhe gojën e tij të madhe dhe shprehu këto fjalë të urta, “kam jetuar 60 vjet në këtë botë dhe kurrë nuk kam ndjerë apo besuar në asgjë shpirtërore gjatë gjithë jetës sime.” Këto fjalë ishin një shmangie e kotë e energjive të tij nga rosaku i pjekur, nuk kishim nevojë që ai të na thoshte këtë. Unë të paktën isha më se i qartë për këtë gjë para se të fliste; nëse macja poshtë tavolinës do të kishte kërcyer papritur mbi një karrige dhe do të thoshte të njëjtën gjë, do t’i kisha kushtuar po të njëjtën rëndësi si fjalëve të njërit ashtu edhe fjalëve të tjetrit! Kështu pra, një mëkat i caktuar te dikush dhe një tjetër mëkat te dikush tjetër tradhton vdekjen e tyre shpirtërore. Derisa një njeri të ketë marrë jetë shpirtërore, komentet e tij mbi të, edhe sikur të jetë një kryepeshkop, nuk kanë asnjë vlerë. Sipas vetë dëshmisë së tij, ai nuk di asgjë mbi të, prandaj pra pse vallë duhet të vazhdojë të përpiqet të godasë me përqeshje dhe sarkazma ata që pohojnë solemnisht se e zotërojnë një jetë të tillë dhe se kjo jetë është reale për ta, aq reale sa jeta mendore i është nënshtruar jetës shpirtërore që sundon brenda në shpirt?
Kjo jetë sjell me vete përdorim aftësish të ripërtërira. Njeriu që fillon të jetojë për Perëndinë ka fuqi tani që më parë nuk i kishte, fuqinë për t’u lutur realisht, fuqinë për të përlëvduar me zemër, fuqinë për të qenë faktikisht në shoqërim me Perëndinë, fuqinë për të parë Perëndinë, për të folur me Perëndinë, fuqinë për të marrë lajme nga bota e padukshme dhe fuqinë për të dërguar fjalë lart përmes velit që fsheh të padukshmen deri te vetë froni i Perëndisë! Tani njeriu shpirtëror, në vend që të pyesë “a ka një Perëndi?” ndjen se nuk ka asnjë vend ku Perëndia nuk është! Ai e dëgjon Atë në erën, e dallon në çdo krijesë që rrethon! Tani njeriu, në vend që të ketë tmerr nga Perëndia dhe të ndjekë ndonjë formë të jashtme, ceremoni apo tjetër mënyrë të jashtme për ta larguar akoma më tej Perëndinë, heq tutje ceremonitë e tij, largon elementët e varfër që dikur mund t’i kenë pëlqyer dhe i afrohet Perëndisë në frymë dhe flet me Të. “At,” thotë ai dhe Perëndia pohon marrëdhënien atërore. Do të doja që të gjithë ne ta zotëronim këtë jetë dhe lutem, nëse nuk e kemi, që Perëndia të na e dërgojë; nëse nuk e kemi, atëherë dëshmia e Fjalës së Perëndisë është se jemi të vdekur atëherë kur dukemi më shumë se jemi gjallë.
Gjithsesi, nuk do t’ju mbaj më gjatë në lidhje me këtë ngjallje përveçse dua të shtoj se mund ta përfytyroni lehtë përvojën e brendshme të një njeriu që merr jetë të re nga i vdekur që ishte. Mund ta përfytyroni me anë të kësaj shëmbëlltyre. Supozoni një njeri që ka vdekur dhe që është varrosur ashtu si njerëz të tjerë, në një nekropol të madh, ndonjë qytet të vdekurish, në katakombe. Një engjëll e viziton dhe ai jeton prej prekjes së mëshirës! Tani, a e përfytyroni dot emocionin e parë të këtij njeriu mbasi fillon të marrë frymë? Ja ku është atje në arkivol, ai ndjehet se i është marrë fryma, është mbyllur për 20 vite me radhë, por asnjëherë deri tani kjo gjë nuk e kishte bezdisur. Ai ndjehej mirë deri pak më parë, nëse vërtet kjo ndjenjë do të ekzistonte atje ku nuk ka jetë. Në çastin që jeton ai ndjen një ndijim të tmerrshëm asfiksie, jeta nuk duron dot që të shtypet kaq shëmtuar dhe atëherë ai fillon të luftojë për çlirim. Ai e ngre me gjithë fuqinë e tij atë kapak arkivoli! Çfarë lehtësimi kur dërrasa e kalbur i jepet presionit që ai ushtron! Po kështu edhe njeriu i paperëndishëm është mjaft i kënaqur në mëkatin e vet, me shkeljet e Shabatit, me epshin e vet, me botëmishjen e vet, por në çastin që Perëndia e ngjall, mëkati i tij është si një varr për të gjallin; ai ndjehet krejt i mjerë, nuk është në një pozicion të pëlqyeshëm dhe lufton për të shpëtuar. Shpesh, me përpjekjen e parë kapaku i rëndë i zi i blasfemisë hiqet tutje, për të mos u zëvendësuar më kurrë. Satanai mendoi se ishte vidhosur fort dhe kështu ka qenë vërtet për njeriun e vdekur, por jeta e zhvidhos bashkë me paudhësitë e tjera më pas. Por për t’u kthyer te ringjallja në varr, njeriu gulçon një moment dhe më pas ndjehet i freskuar me ajër aq sa katakombet e lejojnë, por shpejt ka një ndijim lagështie të ftohtë përreth tij dhe ndjehet i zalisur dhe se gati po vdes; kështu njeriu i ripërtërirë në fillim ndjen pak veçse paaftësinë e tij dhe gulçon për fuqi, ai klith, “dua të pendohem! Dua të besoj në Jezusin! Dua të shpëtohem!” I gjori i mjerë! Nuk e kishte ndjerë këtë gjë më parë, sigurisht që jo, ai ishte i vdekur! Tani ai është i gjallë dhe prandaj gulçon për provat, shenjat, frytet dhe freskimet e jetës. A nuk e shihni vallë mikun tonë të gjorë që sapo është ringjallur? Ai ka dalë nga ajo fole në mur ku e kishin vendosur dhe duke e gjetur veten në atë vend të errët, ai fërkon sytë për të ditur nëse është vërtet gjallë apo jo apo e gjitha kjo është një ëndërr! Është një gjë kaq e re dhe ndërsa prej dritës së dobët që hyn brenda, ai dallon qindra të tjerë të dergjur në gjumin e fundit, i thotë vetes, “Perëndi i madh, çfarë vendi i tmerrshëm për një njeri të gjallë, a është e mundur që jam i gjallë?”
Ai fillon të endet sa andej këndej, duke kërkuar për një derë nga ku mund të shpëtojë; i ka neveri ato mbulesa me të cilat e kanë mbështjellë, fillon t’i heqë nga trupi. Ato janë të lagështa dhe me myk, nuk i shkojnë për shtat një njeriu të gjallë. Shpejt ai thërret për ndihmë, ndoshta ka ndonjë kalimtar që mund ta dëgjojë në mënyrë që të çlirohet nga burgosja e tij. Kështu pra edhe me një njeri që është ripërtërirë nga hiri hyjnor, kur ai pjesërisht zbulon se ku gjendet, ai klith, “ky nuk është vend për mua!” Ai vend i zymtë ishte i përshtatshëm për dikë që nuk njeh më mirë, për një shpirt të paripërtërirë, por çfarë kërkon një trashëgimtar i qiellit në një vend të tillë? Zot, më çliro! Më jep dritë dhe liri! Ma çliro shpirtin nga biruca që të jetoj dhe të përlëvdoj emrin Tënd! Njeriu gulçon për liri dhe nëse më në fund ai del plotësisht jashtë në ajrin e freskët, mendoj se ai do të përthithte aty për aty sasi të mëdha të oksigjenit të bekuar!
Sa i lumtur që është teksa sheh fusha të gjelbërta dhe lule të freskëta! A jua merr mendja vallë se dëshiron të kthehet sërish në varr? Ai do ta braktisë njëherë e mirë atë vend të zymtë! Ai dridhet nga kujtimi i së kaluarës dhe nuk do të donte, edhe sikur t’i jepnin gjithë botën, të kalonte sërish në gjendjen e mëparshme.
Ai ka një zemër të ndjeshme ndaj çdo kujtimi të së kaluarës dhe ka veçanërisht merak se mos ka të tjerë si ai, të sapo ngjallur, që mund të kenë nevojë për dorën e një vëllai për t’i dhënë lirinë. Ai ka neveri vendin ku njëherë e një kohë flinte kaq qetë. Kështu pra njeriu i ripërtërirë tmerrohet nga mendimi i kthimit mbrapsht te ato gëzime që njëherë e një kohë e magjepsnin plotësisht. “Jo,” thotë ai, “ato nuk janë gëzime për mua. Ato ishin gëzime që i përkisnin gjendjes sime të vjetër të mëparshme, mirëpo tani, mbasi kam hyrë në një jetë të re, një botë të re, ato nuk janë më shumë gëzime për mua se sa varrmihja është gëzim për një qenie të gjallë dhe mund të mendoj për to veç me pikëllim dhe për çlirimin tim me mirënjohje.
III. Më duhet ta kaloj shpejt pikën e tretë. Teksti tregon një BASHKËSI—”Na dha jetë me Krishtin.” Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se jeta që jeton në një njeri të shpëtuar është e njëjta jetë që banon në Krishtin! Për ta thënë thjesht, kur Elizeu ishte varrosur tashmë prej disa vitesh, lexojmë se ata hodhën një të vdekur në varrin kur gjendeshin kockat e Elizeut dhe sapo kufoma preku kockat e profetit mori jetë menjëherë!
Atje është Kryqi i Krishtit dhe sapo një shpirt prek Shpëtimtarin e kryqëzuar jeton menjëherë, sepse Ati i ka dhënë Atij që të ketë jetë në Vetvete dhe jetë për t’ia përçuar të tjerëve. Kushdo që beson në Krishtin e ka prekur dhe duke e prekur ka marrë jetën e përjetshme! Ta vendosësh besimin në Shpëtimtarin e botës do të thotë të ngjallesh përmes Tij. Ne jemi ngjallur bashkë me Krishtin në tre kuptime, së pari, në mënyrë përfaqësuese. Krishti na përfaqëson para Fronit të Përjetshëm. Ai është Adami i dytë për popullin e Tij. Për aq gjatë sa Adami i parë jetoi, raca e tij jetoi dhe për aq gjatë sa Adami i dytë jeton, raca e përfaqësuar nga Ai jeton para Perëndisë. Krishti është i pranuar, Besimtarët janë të pranuar. Krishti është i drejtë, shenjtorët janë drejtësuar. Krishti jeton dhe shenjtorët gëzojnë një jetë që është e fshehur me Krishtin në Perëndinë.
Më pas ne jetojmë me anë të bashkimit me Krishtin. Për aq gjatë sa kreu është i gjallë, gjymtyrët kanë jetë. Veç nëse një gjymtyrë shkëputet nga koka dhe trupi gjymtohet, me siguri që jeton për aq gjatë sa koka jeton. Për aq gjatë sa Jezusi jeton, çdo shpirt që është i bashkuar gjallërisht me Të dhe është një gjymtyrë e trupit të Tij, jeton sipas vetë fjalës së Zotit, “sepse Unë jetoj, edhe ju do të jetoni.” Marta e gjorë u befasua tej mase kur Krishti ringjalli vëllain e saj, por Ai tha, si për ta befasuar akoma më shumë, “ai që jeton e beson në Mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?”. Kjo është një nga gjërat që ne duhet të besojmë, se kur kemi marrë jetën shpirtërore, është në bashkim me jetën e Krishtit dhe si rrjedhojë nuk mund të vdesë! Sepse Krishti jeton, jeta jonë duhet të qëndrojë brenda nesh përherë.
Pastaj po ashtu ne jetojmë bashkë me Krishtin si shëmbëlltyrë e Tij. Ne jemi ngjallur bashkë me Krishtin, domethënë, në të njëjtën mënyrë. Tani ngjallja e Krishtit ishte diçka e urtë në këtë gjë se Ai vdiq me anë të Ligjit, por Ligji nuk ka më pushtet mbi Të tani që Ai jeton përsëri. Po ashtu edhe ti i Krishterë, je i mallkuar nga ligji i vjetër i Sinait, por nuk ka më pushtet tani për të mallkuar, sepse je ringjallur në Krishtin. Nuk je nën Ligj, tmerret dhe kërcënimet e tij nuk kanë të bëjnë më me ty. Për Zotin tonë është shkruar, “në atë që rron, rron për Perëndinë.” Jeta e Krishtit është një jetë për Perëndinë! E tillë është jeta jotja. Prandaj, ti nuk ke pse të jetosh për mishin ose të kujdesesh për gjërat e mishit, por Perëndia, që të ka dhënë jetën, duhet të jetë Synimi i madh i jetës tënde. Në Të ti jeton dhe për Të ti jeton.
Për më tepër, është shkruar, “Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s`ka më pushtet mbi Të.” I Krishteri jeton në të njëjtën mënyrë. Ai nuk do të kthehet më kurrë në vdekjen e tij shpirtërore; mbasi ka marrë një herë e mirë jetën Hyjnore, Ai nuk do ta humbasë kurrë atë. Perëndia nuk bën lojëra me të zgjedhurit e Tij. Ai nuk shpëton sot dhe mallkon nesër. Ai nuk na ngjall me jetën e brendshme dhe më pas na lë të vdesim. Hiri Hyjnor është një farë e gjallë, e pakorruptueshme që jeton dhe qëndron përgjithmonë. “Uji që Unë do t`i jap,” thotë Jezusi, “do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.” Lavdi Perëndisë pra, ju që jetoni me anë të besimit në Krishtin jetoni një jetë të pavdekshme, një jetë kushtuar Perëndisë, një jetë çlirimi nga skllavëria e Ligjit! Gëzohuni në të dhe i jepni Perëndisë suaj gjithë lavdinë!
IV. Dhe kjo na sjell te pjesa e fundit e predikimit, te KËNGA. Nuk kemi kohë ta këndojmë, thjesht do ta paraqesim para syve tuaj dhe do t’ju kërkojmë që ju vetë ta këndoni me nge, zemrat tuaja duke krijuar melodi për Perëndinë. Vëllezër dhe Motra, nëse me të vërtetë, jeni ngjallur ndryshe nga të tjerët, duhet së pari, ashtu siç e thotë dhe teksti, të përlëvdoni dashurinë e madhe të Perëndisë, e madhe përtej çdo gjëje tjetër! Ishte dashuria që e bëri Atë të hukaste te Adami frymën e jetës dhe e bëri baltën e dobët të ecte dhe të fliste.
Mirëpo, është dashuri akoma më e madhe që e bën Atë tani, mbasi Rënia na ka ndotur, të na ripërtërijë me një jetë të dytë dhe më të lartë. Ai mund të kishte bërë krijesa të reja me miliona dhe nga asgjëja. Mjaftonte veç të fliste dhe engjëj do të mbushnin ajrin ose, qenie si ne vetë, veçse të pastër dhe pa mëkat, do të shumoheshin me miriada mbi tokën e gjelbër. Nëse Ai do të na kishte lënë të fundoseshim në ferr ashtu si engjëjt e rënë para nesh, kush mund ta kishte sfiduar vallë drejtësinë e Tij? Mirëpo dashuria e Tij e madhe bëri që Ai mos t’i linte të zgjedhurit e Tij të vdisnin. Ai e deshi popullin e Tij dhe prandaj Ai bëri që ata të lindnin përsëri. Dashuria e Tij e madhe me të cilën Ai na deshi, sfidoi vdekjen, ferrin dhe mëkatin!
Qëndro mbi këtë, ti që ke pjesë në këtë dashuri! Ai na deshi, ne që nuk e meritonim, ne që nuk kishim të drejtë për një dashuri të tillë! Nuk kishte asgjë në ne për të na dashur dhe prapëseprapë Ai na deshi, na deshi kur ishim të vdekur! Këtu dashuria e Tij e madhe duket se zmadhohet dhe ngrihet në përmasat e një mali, dashuri për mëkatarët e mjerë, dashuri për mëkatarët e neveritshëm, dashuri për të vdekurin dhe të korruptuarin! Oh, lartësitë dhe thellësitë e Hirit Sovran! Ku janë vallë notat që mund të krijojnë ashtu si duhet tingujt e përlëvdimit Tënd? Këndoni o ju të shpenguar për dashurinë e Tij të madhe me të cilën Ai na deshi edhe atëherë kur ishim të vdekur në mëkate! Dhe mos reshtni të përlëvdoni Perëndinë ndërsa mendoni për pasuritë e mëshirës së Tij, sepse na thuhet se Ai është i pasur në mëshirë, i pasur në Natyrën e Tij përsa i përket mëshirës, i pasur në Besëlidhjen e Tij përsa i përket mëshirës që ka ruajtur përbrenda, i pasur në Personin e Birit të Tij të shtrenjtë përsa i përket mëshirës shpenguese, i pasur në mëshirë providenciale, por i pasur mbi të gjitha në mëshirën që shpëton shpirtin.
Miq, eksploroni thellësitë e pasurisë së të Përjetshmit nëse mundeni. Merrni çelësin dhe hapni hambarin e Perëndisë suaj dhe shihni depozitat e dashurisë që Ai ka grumbulluar për ju. Lëshoni notat tuaja më të ëmbla për lavdi të Perëndisë, që është i pasur në mëshirë, për dashurinë e Tij të madhe me të cilën Ai na ka dashur! Dhe nota e fundit, më e larta dhe më e fuqishmja e këngës suaj qoftë ajo me të cilën përfundon teksti ynë, “ju jeni të shpëtuar me anë të hirit.”
Oh mos belbëzoni asnjëherë në këtë pikë! Vëllezër dhe Motra, në çdo rast, pa dallim, asnjëherë mos jeni të ngathët për të thënë këtë gjë, “nëse jam shpëtuar, jam shpëtuar me anë të Hirit, Hir në dallim me meritën njerëzore, sepse nuk kam meritë. Hir në dallim me vetë vullnetin tim të lirë, sepse vullneti im i lirë do të më kishte çuar më larg e më larg Perëndisë. Hiri parandalues më solli afër me Të.” Bekoni dhe madhëroni fort Hirin e Perëndisë dhe duke qenë se ia detyroni gjithçka atij, klithni, “Le të shuhet çdo mendim krenarie!” Ia kushtoni veten tërësisht Perëndisë të Cilit i detyroheni gjithçka! Dëshironi që të ndihmoni të përhapni atë shije të atij Hiri Hyjnor që ju ka sjellë gjëra kaq të mira. Zotohuni, në emër të Frymës ngjallëse, se Ai që ju ka dhënë jetë me anë të besimit, do të ketë, nga kjo ditë deri ditën kur të hyni në Parajsë, mendimet, fjalët dhe veprimet më të mira, sepse ju nuk i përkisni më vetes suaj, jeni ngjallur nga të vdekurit dhe duhet të jetoni në risi jete.
Zoti ju bekoftë, miq të dashur. Nëse nuk keni marrë jetë shpirtërore, ju dhëntë Ai Hir për të besuar në Jezusin pikërisht tani dhe atëherë do të ngjalleni nga të vdekurit. Dhe nëse jeni tashmë të gjallë, Ai ju ngjalltë akoma më shumë nëpërmjet Frymës së Tij të përjetshme derisa t’ju sjellë në vendin e të gjallëve nga ana tjetër e Jordanit. Amen.
Copyright ©
spurgeonshqip.org