SEKRETI I FUQISË NË LUTJE
Predikatorja e Tabernakullit Metropolitan, Njuington
Nr 2002
Në ditën e Zotit,8 janar,1888
Nga C.H.Spurgeon
Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet. {Gjoni 15.7}
Dhuratat e Hirit Hyjnor nuk gëzohen prej besimtarëve të gjitha menjëherë. Sapo kemi ardhur te Krishti ne shpëtohemi nëpërmjet një bashkimi të vërtetë me Të. Por është duke qëndruar në atë bashkim që ne marrim më tej pastërtinë, gëzimin, fuqinë, bekueshmërinë të cilat janë të mbledhura në Të për popullin e Tij. Shikoni se si Zoti ynë e shpreh këtë kur i drejtohet Judenjve besimtarë në kapitullin e tetë të këtij Ungjilli, në vargjet 31 dhe 32.— “Atëhere Jezusi u tha Judenjve që besuan në Të; nëse do të qëndroni në fjalën Time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Ne nuk e njohim të gjithë të Vërtetën e Perëndisë menjëherë—ne e mësojmë atë duke qëndruar në Jezusin.
Këmbngulja në Hirin Hyjnor është një proçes edukimi me të cilin ne mësojmë plotësisht të Vërtetën e Perëndisë. Fuqia emancipuese e asaj të Vërtete gjithashtu perceptohet dhe gëzohet gradualisht. “E Vërteta do t’ju bëjë të lirë.” Hallkat e zinxhirit këputen njëra pas tjetrës dhe ne jemi me të vërtetë të lirë. Ju që sapo keni filluar në jetën hyjnore gëzoheni teksa dini se ka diçka akoma më të mirë, për ju—ju ende nuk e keni marrë shpërblimin e plotë të besimit tuaj. Ashtu siç e shpreh dhe himni ynë—“Eshtë më mirë se përpara.” Do keni pamje më të lumtura të gjërave qiellore teksa ngjisni kodrën e përjetimit shpirtëror. Teksa qëndroni në Krishtin do keni siguri më të qëndrueshme, gëzim më të pasur, stabilitet më të madh, më shumë shoqërim me Jezusin dhe ëndje më të madhe në Zotin Perëndinë tuaj.
Fëmijëria rrethohet nga shumë të liga prej të cilave mosha e burrërisë është e përjashtuar—është njëlloj në botën shpirtërore me atë natyrore. Ka nga këto shkallë arritjesh mes besimtarëve dhe Shpëtimtari këtu na nxit të arrijmë një pozicion të lartë duke përmendur një farë privilegji që nuk është për të gjithë që thonë se janë në Krisht por vetëm për ato që janë qëndrues në Të. Çdo besimtar duhet të jetë një qëndrues por shumë deri tani e kanë fituar me vështirësi këtë emër. Jezusi thotë, “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Duhet të jetoni me Krishtin për ta njohur Atë dhe sa më gjatë jetoni me Të aq më shumë do ta admironi dhe adhuroni—po, dhe aq më shumë do merrni prej Tij, madje hir mbi hir.
Në të vërtetë, Krishti është i bekuar për atë që nuk është veçse një muajsh në Hirin Hyjnor. Por këto foshnja zor se mund të thonë se sa i çmuar Jezusi është për ato që njohja me Të mbulon pothuajse një gjysëm shekulli! Jezusi, në vlerësimin e besimtarëve qëndrues, bëhet gjithnjë e më shumë i ëmbël dhe i shtrenjtë, më i hijshëm dhe më i dashur çdo ditë. Jo se Ai përmirësohet sepse Ai është i përkryer. Por teksa ne rritemi në njohjen e Tij, i vlerësojmë më plotësisht shkëlqesitë e Tij të pashoqe.
Sa me admirim që shprehen të njohurit e Tij të vjetër, “Po, Ai është i tëri i dashur!” Oh, vazhdofshim të rritemi në Të, që është Koka jonë, në çdo gjë në mënyrë që të mund ta çmojmë Atë gjithnjë e më shumë! Ju bëj thirrje që të jeni shumë të vëmendshëm mbi tekstin tonë, duke ju përgjëruar që të merrni në konsideratë me mua tre pyetje. Së pari, çfarë është ky bekim i veçantë? “Kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Së dyti, si fitohet ky bekim i veçantë? “Kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Më pas, së treti, pse ai fitohet në këtë mënyrë? Duhet patjetër që të ketë ndonjë arsye për kushtet e nevojshme që janë vendosur për të fituar fuqinë e premtuar në lutje. Oh, vajosja e Frymës së Shenjtë që banon në ne na dhëntë përfitim të madh teksa flasim për këto gjëra!
I. ÇFARË ËSHTË KY BEKIM I ÇMUAR? Le ta lexojmë vargun përsëri. Jezusi tha, “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Vini re se Zoti ynë ishte gjithmonë duke na paralajmëruar se, të shkëputur nga Ai, ne nuk mund të bëjmë asgjë, dhe prandaj ne natyrshëm mund të kishim pritur se Ai tani do na tregojë sekretin e çdo vepre shpirtërore. Por teksti nuk është ashtu siç do ta kishim pritur ne. Zoti Jezus nuk thotë, “Pa Mua, ju nuk mund të bëni asgjë, por në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, ju do të bëni çdo gjë shpirtërore dhe të hirshme.” Ai nuk flet për atë që ata vetë do të mundësoheshin të bënin por për atë që do t’u bëhej atyre—“do t’ju bëhet.”
Ai nuk thotë, “Do t’ju jepet forcë e mjaftueshme për të gjitha ato gjëra të shenjta që nuk mund t’i bëni dot pa Mua.” Kjo në fakt do ishte mjaft e vërtetë dhe kjo është e Vërteta e Perëndisë që po kërkojmë këtu. Por Zoti ynë i urtë ia kalon çdo fjalimi dhe çdo pritshmërie zemre dhe thotë diçka më të mirë akoma. Ai nuk thotë, “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, ju do bëni gjëra shpirtërore.” Por, “do kërkoni.” Nëpërmjet lutjes do mundësoheni të bëni. Por përpara çdo lloj përpjekje për të bërë, “Kërkoni.” Privilegji i çmuar që na jepet këtu është plotlutje e fuqishme mbizotëruese. Fuqia në lutje tregon shumë për gjendjen tonë shpirtërore. Dhe kur kjo gjë na sigurohet në një shkallë të lartë atëherë jemi të favorizuar në të gjitha çështjet e tjera.
Pra, njëri prej rezultateve të para, të bashkimit tonë të qëndrueshëm me Krishtin do jetë ushtrimi i sigurtë i lutjes—“do kërkoni”. Nëse të tjerët as nuk kërkojnë, as nuk trokasin, as nuk pyesin, ju, sidoqoftë, do bëni ashtu. Lutjet vijnë spontanisht te ato që qëndrojnë në Jezusin, po ashtu si disa pemë orientale, pa pasur presion, derdhin lëngun e tyre erëkëndshëm.
Lutja është derdhja jashtë e shpirtit në shoqërim me Jezusin. Po ashtu si gjethja dhe fruti dalin prej hardhisë pa ndonjë sforcim prej shermendit por thjesht për shkak të bashkimit të tij të gjallë me kërcellin, po ashtu lutja çel dhe lulëzon dhe prodhon frut prej qëndrimit të shpirtrave në Jezusin. Ashtu si yjet shkëlqejnë, po ashtu qëndruesit luten. Është puna e tyre dhe natyra e tyre e dytë. Ato nuk i thojnë vetes, “Tani është koha për ne që të bëjmë detyrën tonë të lutjes.” Jo, ata luten ashtu si ushqehen dhe njerëzit e mençur, domethënë, atëherë kur i lind dëshira për të bërë ashtu. Ata nuk këlthasin si nën robëri, “Në këtë moment duhet të isha duke u lutur por nuk e kam për zemër. Çfarë lodhje që është!” Jo, është punë e gëzueshme për ta të shkojnë te Froni i Mëshirës.
Zemrat që qëndrojnë në Krishtin lëshojnë jashtë përgjërime po ashtu si zjarri lëshon flakë dhe shkëndija. Shpirtrat që qëndrojnë në Jezusin e hapin ditën me lutje. Lutja i rrethon ata ashtu si një atmosferë përgjatë gjithë ditës. Natën ata luten para se të bien në gjumë. Di madje se ata janë lutur në ëndrrrat e tyre dhe në çdo rast, ata me gëzim mund të thonë, “Kur zgjohem, jam ende me Ty.” Të kërkuarit të rregullt buron prej të qëndruarit në Krishtin. Nuk do keni nevojë për nxitje për t’u lutur ndërkohë që jeni duke qëndruar me Jezusin—Ai thotë, “Do kërkoni.” Dhe ta dini, ashtu do bëni!
Po ashtu keni për ta ndjerë më fuqimisht nevojshmërinë e lutjes. Nevoja juaj për t’u lutur ka për të dalë më shumë në pah. Po sikur dikush të thoshte—çfarë? Atëherë kur qëndrojmë në Krishtin dhe Fjalët e Tij qëndrojnë në ne, a ka më akoma?” Në fakt në këtë kohë ne jemi larg së qenuri të kënaqur me veten. Është në këtë kohë që e ndjejmë më shumë se kurrë se duhet të kërkojmë për më shumë Hir Hyjnor.
Aq më shumë që dikush e njeh Krishtin aq më shumë njeh më shumë mbi nevojshmëritë e tij. Ai që është më i ndërgjegjshëm për jetën në Krishtin, është gjithashtu shumë i bindur për vdekjen e tij shpirtërore larg Krishtit. Aq më shumë që dikush dallon qartë karakterin e përkryer të Jezusit, do të jetë akoma më tepër i ngutshëm në lutje për t’u rritur sipas imazhit të Tij. Aq më shumë e dalloj se jam në Zotin tim, aq më shumë dëshiroj të marr prej Tij, përderisa e di se gjithçka që është në Të është vendosur aty me qëllim që unë ta marr. “Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së Tij, hir mbi hir.” Është në përpjestim të lidhjes sonë me plotësinë e Krishtit që ndjejmë nevojshmërinë për të marrë prej saj përmes lutjes. Askush nuk ka nevojë që t’i provojë një qëndruesi në Krishtin doktrinën e lutjes, sepse e gëzojmë personalisht. Lutja është tani po aq e nevojshme për jetën tonë shpirtërore sa është frymëmarrja për jetën tonë natyrore: ne nuk mund të jetojmë pa kërkuar favore prej Zotit. “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni”: dhe ju nuk do dëshironi të reshtni prej së kërkuari. Ai ka thënë, “Kërkoni fytyrën Time,” dhe zemra juaj do të përgjigjet, “unë kërkoj fytyrën Tënde, o Zot.”
Vini re më pas se fryti i të qëndruarit tonë nuk është vetëm ushtrimi i lutjes, dhe një ndijim i nevojshmërisë për t’u lutur, por përfshin lirinë në lutje: “kërkoni çfarë të doni”. A nuk ka pasur raste kur keni qenë në gjunjë por pa fuqi në lutje? A nuk ka pasur raste kur keni ndjerë se nuk mund të kërkonit ashtu si do kishit dashur? Keni dashur të luteni, por ujërat ishin të ngrira dhe nuk rridhnin dot. Ke thënë me pikëllim, “Jam i mbyllur brenda dhe nuk mund të dal dot jashtë.” Vullneti ishte i pranishëm, por ama jo liria për ta shprehur atë vullnet në lutje. A dëshiron pra, liri në lutje, në mënyrë që të mund të flasësh me Perëndinë ashtu si një njeri flet me mikun e tij? Ja rruga për ta arritur këtë: “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni”. Nuk dua të them me këtë se do të fitoni liri në kuptimin e thjesht rrjedhshmërisë në të shprehur, sepse kjo gjë është një dhunti e një rendi të ulët. Rrjedhshmëria në të shprehur është një dhunti e diskutueshme, veçanërisht kur nuk është e shoqëruar me peshë mendimi dhe thellësi ndjenje. Disa vëllezër luten shumë gjatë; por në fakt lutja e vërtetë matet prej peshës së saj dhe jo prej gjatësisë. Një psherëtimë e vetme para Perëndisë mund të ketë më tepër plotësi lutje në vetvete se sa një ligjërim i bukur dhe i gjatë. Ai që banon me Perëndinë në Jezus Krishtin, është ai që e ka rrugën të hapur në ndërmjetësim. Ai vjen me guxim sepse banon te froni. Ai shikon skeptrin e artë të zgjatur dhe dëgjon Mbretin tek thotë, “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Ai që ka liri hyrje në lutje është ai njeri që qëndron në bashkim të ndërgjegjshëm me Zotin e tij. Nuk është çudi që ai vjen te Krishti menjëherë, përderisa ai është në Krishtin, dhe qëndron në Të. Mos u përpiq ta kapësh këtë liri të shenjtë përmes entuziazmit, ose mendjemadhësisë: atë mund ta fitosh veçse në një mënyrë dhe ja ku është-“ Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni”. Vetëm kështu do mundesh të hapësh gojën gjerë e gjatë, që Perëndia të mund ta mbushë atë. Kështu ju do bëheni Izraela, dhe princa që kanë fuqi me Perëndinë.
Kjo nuk është e gjitha: njeriu i favorizuar ka privilegjin e lutjes së suksesshme. “Kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Mund të mos bësh gjë, por do të të bëhet. Ti digjesh me zjarr për të mbajtur fryte: kërko, dhe do të të bëhet. Shiko shermendin. Thjesht qëndron në hardhi dhe duke qëndruar në hardhi del fryt prej tij; kështu pra i bëhet shermendit. Vëlla në Krisht, kuptimi i qënies tënde, objekti dhe synimi i saj, është të japë fryte për lavdi të Atit: për të arritur këtë gjë, ti duhet të qëndrosh në Krishtin, po ashtu si shermendi qëndron në hardhi. Kjo është metoda përmes së cilës lutja jote për frytshmëri do të bëhet e suksesshme, “Do t’ju bëhet.” Përsa i përket kësaj çështjeje, “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Do të kesh mbizotërim të mrekullueshëm me Perëndinë në lutje, aq shumë sa përpara se të thërrasësh Ai do të përgjigjet, dhe ndërsa je duke folur Ai do të të dëgjojë. “Njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë”. Të njëjtën gjë përcjell dhe teksti tjetër: “Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe Ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.” Ka një gjerësi të madhe në këtë tekst,” kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Zoti i jep qëndruesit kartë të bardhë. Ai vë në dorën e tij një çek të firmosur dhe e lejon që ta mbushë sipas dëshirës.
A do të thotë teksti atë që thotë? Nuk e kam njohur kurrë Zotin si një Zot që thotë diçka pa dashur të thotë atë që thotë. Jam i sigurtë se ndonjëherë Ai do të thotë më shumë se ne kuptojmë por Ai asnjëherë nuk do të thotë më pak. Kini kujdes, Ai nuk i thotë të gjithë njerëzve, “Do t’ju jap çfarë do gjëje të kërkoni.” Oh jo, kjo do ishte shumë e dëmshme për to: por Ai i flet dishepujve të Tij duke thënë, “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Kjo vlen për një klasë njerëzish që kanë marrë tashmë hir të madh në duart e Tij—është pikërisht këtyre që Ai u jep këtë fuqi të mrekullueshme lutjeje. Miq të dashur, nëse ka një gjë që mund të lakmoj me zjarr mbi çdo gjë tjetër, është kjo; që të mund të kërkoj nga Zoti çfarë të dua, dhe ta kem atë. Mbizotëruesi në lutje është ai njeri që do ketë sukses në predikim, sepse nuk është çudi që ai të mbizotërojë me njerëzit për Perëndinë përderisa tashmë ai ka mbizotëruar me Perëndinë për njerëzit. Ky është njeriu që përballet me vështirësitë e jetës; sepse çfarë mund ta ngatërrojë atë ndërsa mund t’ia çojë gjithçka Perëndisë në lutje? Një njeri i tillë si ky, ose një grua e tillë si kjo në kishë, vlen sa dhjetë mijë prej nesh, njerëzve të zakonshëm. Në njerëz të tillë gjendet paria fisnike e qiejve. Në njerëz të tillë përbushet qëllimi i Perëndisë për njeriun, të cilin e bëri për të pasur zotërim mbi të gjitha veprat e duarve të Tij. Vula e sovranitetit është në ballin e këtyre njerëzve: ata formojnë historinë e kombeve, ata udhëheqin rrjedhën e ngjarjeve përmes fuqisë së tyre prej së larti. Ne shikojmë Jezusin me të gjitha gjërat të vendosura nën Të prej qëllimit hyjnor, dhe teksa rritemi sipas atij imazhi, edhe ne jemi të veshur me pushtet dhe jemi mbretër dhe priftërinj për Perëndinë. Shikoni Elijan, me çelësat e shiut duke u varur në brez: ai mbyll ose hap qiejt! Sot ka akoma gjallë njerëz të tillë. Aspironi të jeni burra dhe gra të tillë. Ju përgjërohem, që ky tekst të gjejë përmbushje në ju. “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet”.
Teksti duket se nënkupton se, nëse e arrijmë këtë shkallë privilegji, kjo dhunti do të jetë e përhershme: “kërkoni,” ju do të kërkoni gjithmonë; nuk do shkoni përtej së të kërkuarit, por ama do kërkoni me sukses, sepse “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet”. Këtu ne kemi dhuntinë e lutjes së vazhdueshme. Jo vetëm gjatë javës së lutjes, gjatë një konference, ose në disa raste të caktuara do të luteni në mënyrë mbizotëruese; por do ta zotëroni këtë pushtet me Perëndinë për aq gjatë që do të qëndroni në Krishtin, dhe fjalët e Tij të qëndrojnë në ju. Perëndia do ta vendosë plotfuqishmërinë e Tij në dispozicionin tuaj: Ai do shfaqë hyjninë e Tij për të përmbushur dëshirat që vetë Fryma e Tij ka vënë brenda jush. Do desha që ta bëj këtë gur të çmuar të shkëlqejë para syve të të gjithë të shenjtëve derisa të thërrisnin, “Oh sikur ta kishim atë!” Kjo fuqi në lutje është si shpata e Golias: me urtësi çdo David do thoshte-“Asnjë nuk ia kalon asaj, nëma!” Arma e lutjes së vazhdueshme mund armikun dhe në të njëjtën kohë, pasuron zotëruesin e saj me të gjithë pasurinë e Perëndisë. E si mundet që dikujt që Zoti i ka thënë, “kërko çfarë të duash dhe do të të bëhet”, t’i mungojë ndonjë gjë? Oh, ejani, le të kërkojmë këtë të mirë. Dëgjoni dhe mësoni udhën. Më ndiqni, ndërsa përmes dritës së tekstit, ju tregoj shtegun. Zoti na drejtoftë në të përmes Frymës së Tij të Shenjtë!
II. Tani, si fitohet ky privilegj i plotlutjes së fuqishme? Përgjigjja është, “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju.” Këtu janë dy këmbët me të cilat ne ngjitemi drejt fuqisë me Perëndinë në lutje.
Të dashur, pjesa e parë e vargut na thotë se na duhet të qëndrojmë në Krishtin Jezus Zotin tonë. Është e konsideruar si fakt i kryer se ne jemi tashmë në Të. A është fakt i kryer për ty, dëgjues i dashur? Nëse po, duhet të qëndrosh aty ku je. Si besimtarë ne duhet të rrimë ngjitur me Jezusin me këmbngulje, të lidhur me dashamirësi me Jezusin. Ne duhet të qëndrojmë në Të, duke i mirëbesuar Atij gjithmonë, dhe Atij vetëm, me të njëjtin besim të thjeshtë që na bashkoi me Të në fillim. Ne nuk duhet të pranojmë kurrë ndonjë gjë tjetër ose person tjetër në mirëbesimin e zemrës sonë si shpresën tonë të shpëtimit, por duhet të prehemi vetëm në Jezusin ashtu siç e morëm në fillim. Hyjnia e Tij, natyra e Tij njerëzore, jeta e Tij, vdekja e Tij, ringjallja e Tij, lavdia e Tij në krahun e djathtë të Atit- e thënë shkurt, vetë Ai duhet të jetë mbështetja e vetme e zemrës sonë. Kjo është absolutisht thelbësore. Një besim i përkohshëm nuk do të shpëtojë: është i nevojshëm një besim qëndrues.
Por të qëndrosh në Zotin Jezus nuk do të thotë veçse ta vendosësh besimin në Të; por përfshin edhe dorëzimin e vetes sonë Atij për të marrë jetën e Tij, dhe ta lejosh atë jetë të punojë për të dhënë fryte në ne. Ne jetojmë në Të, përmes Tij, për Të, kur qëndrojmë në Të. Ndjejmë se e gjithë jeta jonë e shkëputur nga Zoti nuk është më: sepse “ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.” Ne jemi hiç gjë nëse largohemi prej Jezusit; do ishim atëherë degë të vyshkura dhe të përshtatshme veçse për t’u hedhur në zjarr. Nuk kemi arsye për të ekzistuar përveçse asaj që gjejmë në Krishtin; dhe çfarë arsye e mrekullueshme që është kjo! Hardhia ka nevojë për shermendin po ashtu si dhe shermendi ka nevojë për hardhinë. Asnjë hardhi nuk mbajti ndonjëherë fryt përveçse në shermendet e saj. Ajo mban shermendin e saj dhe kështu mban të gjithë frytin; sidoqoftë është përmes shermendit që hardhia shfaq gjithë frytshmërinë e saj. Kështu janë dhe besimtarët qëndrues të nevojshëm për përmbushjen e qëllimeve të Zotit të tyre. Gjë e pazakontë kjo për t’u thënë, por të shenjtët janë të nevojshëm për Shpëtimtarin e tyre! Kisha është trupi i Tij; plotësia e Atij që mbush gjithçka në gjithçka. Ju kërkoj që ta pranoni këtë, që të mund të kuptoni përgjegjësinë tuaj të bekuar, detyrimin tuaj praktik për të sjellë fryte, në mënyrë që Zoti Jezus të mund të lavdërohet në ju. Qëndroni në Të. Mos lëvizni kurrë nga përkushtimi juaj në nder dhe lavdi të Tij. Mos ëndërroni kurrë për të qenë vetë zotër të vetes. Mos jini shërbëtorë të njerëzve por qëndroni në Krishtin. Ai le të jetë objekti po ashtu si dhe burimi i ekzistencës tuaj. Oh, sikur të arrinit atje dhe të ndalonit atje në bashkësi të përhershme me Zotin tuaj, shpejt do të përjetonit një gëzim, ëndje, fuqi të tillë në lutje sa nuk e keni njohur kurrë më parë. Ka kohëra kur jemi të ndërgjegjshëm se jemi në Krishtin, dhe e dimë se kemi bashkësi me Të; dhe oh, çfarë gëzimi dhe paqe që pijmë prej kupës së Tij! Le të qëndrojmë aty. “Qëndroni në Mua,” tha Jezusi. Nuk duhet të vini e më pas të largoheni, por duhet të qëndroni. Lëreni atë zhytje të bekuar në jetën e Tij, shpenzimin e të gjitha fuqive tuaja për Jezusin dhe besimin e patundur për bashkimin tuaj me Të të qëndrojnë në ju gjithnjë e më shumë. Oh, e arritshim këtë përmes Frymës së Shenjtë!
Në mënyrë që të na ndihmonte të kuptojmë këtë, Zoti ynë i hirshëm na ka dhënë një parabolë të këndshme. Le të kqyrim me vëmendje fjalët e Tij mbi hardhinë dhe shermendet e saj. Jezusi thotë, “çdo shermend që jep fryt, Ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.” Kini kujdes që të qëndroni në Krishtin ndërsa jeni duke u krasitur. “Oh,” thotë dikush, “mendova se isha i Krishterë; por sa keq! kam më shumë trazira se kurrë: njerëzit më përqeshin, djalli më tundon, dhe punët e mia të biznesit po shkojnë keq.” Vëlla, nëse do të kesh fuqi në lutje duhet të kesh kujdes që të qëndrosh në Krishtin ndërsa thika e mprehtë është duke bërë punën e saj. Duro sprovën dhe asnjëherë mos të të shkojë ndërmend të heqësh dorë nga besimi yt për shkak të saj. Thuaj, edhe sikur të më vrasë, prapë do të shpresoj te Ai. Zoti yt të paralajmëroi kur u bëre në fillim pjesë e hardhisë se do pastroheshe dhe do krasiteshe; dhe nëse je duke ndjerë tani procesin e krasitjes, nuk duhet të mendosh se po të ndodh ndonjë gjë e pazakontë. Mos u rebelo për shkak të asaj që mund të vuash prej dorës së dashur të Atit tënd qiellor, që është vreshtari. Jo, por ngjitu me Jezusin akoma më shumë. Thuaj, “Prit o Zot, prit deri thellë në palcë nëse do; por unë prapëseprapë do të ngjishem te Ty. E ku do shkoja tjetër? Ti ke fjalët e jetës së përjetshme.” Po, ngjeshu te Jezusi kur Ai është duke të të krasitur dhe kështu “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.”
Kini kujdes gjithashtu që kur krasitja të ketë mbaruar të jesh akoma i ngjeshur mbas Zotit. Vini re vargun e tretë: “ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. Qëndroni në Mua dhe Unë do të qëndroj në ju.” Qëndroni mbas pastrimit atje ku ishit para pastrimit. Kur jeni duke u shenjtëruar, qëndroni atje ku ishit kur u drejtësuat në fillim. Kur po shikoni punën e Frymës që është duke u rritur në ju, mos e lejoni djallin t’ju tundojë për t’u mburrur se tani ju jeni dikush, dhe nuk keni nevojë për të ardhur te Jezusi si një mëkatar i mjerë, dhe të preheni për shpëtim vetëm në gjakun e Tij të çmuar. Qëndroni vazhdimisht në Jezusin. Ashtu si qëndruat te Ai kur u krasitët, po ashtu qëndroni te Ai ndërsa vilet e brishta fillojnë të formohen. Mos i thoni vetes, “çfarë shermendi frytdhënës që jam! Sa bukuri që i jap hardhisë! Tani jam plot me fuqi!” Ti je asgjë dhe askushi. Veçse teksa qëndron në Krishtin ti je një thërrime më i mirë se sa druri i thatë që digjet në zjarr. “Por a nuk rritemi ne?” Po, rritemi, por duke qëndruar ama: asnjëherë nuk shkojmë një milimeter më tej, ne qëndrojmë në Të; ose, nëse jo, ne hidhemi tutje dhe vyshkemi. E gjithë shpresa jonë qëndron në Jezusin në kohën tonë më të mirë po ashtu si dhe më të keqen. Jezusi tha, “ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. Qëndroni në mua dhe Unë do të qëndroj në ju.”
Qëndroni në Të për gjithë frytshmërinë tuaj. “Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në Mua.” “Pra, unë paskam diçka për të bërë,” do thoshte dikush. Sigurisht që po, por ama jo veçmas Jezusit. Shermendi duhet të jape fryt; por nëse shermendi kujton se vetëm mund të prodhojë një filiz ose një cep, atëherë e ka krejtësisht gabim. Fryti i shermendit duhet të dalë nga hardhia. Puna juaj për Krishtin duhet të jetë puna e Krishtit në ju, ose përndryshe nuk do ketë aspak vlerë. Ju përgjërohem që të tregoni kujdes për këtë gjë. Mësimi i shkollës së të dielës, predikimi juaj, ose çfarëdo gjëje që bëni, duhet të bëhet në Krishtin Jezus. Nuk mund të fitoni shpirtra përmes talentit tuaj natyror, as nuk mund të shpëtoni njerëz me plane të sajuara nga mendja juaj. Kini kujdes nga skemat e përgatitura nga vetë ju. Bëni për Jezusin atë që Ai ju urdhëron të bëni. Kujtoni se puna jonë për Krishtin, duhet të jetë së pari puna e Krishtit, nëse doni që të pranohet nga Ai. Qëndroni në Të pra përsa i përket frytshmërisë suaj.
Po, qëndroni në Të për vetë jetën tuaj. Mos thoni, “Po bëhen tani njëzet ose tridhjetë vjet që kam qenë një i Krishterë dhe mund t’ia dal edhe pa një varësi të vazhdueshme në Krishtin.” Jo, ti nuk mund t’ia dalësh dot pa Të edhe sikur të ishe po aq i vjetër sa Metuselahu. Qënia jote si i Krishterë varet nga se sa ngjeshesh akoma, mirëbeson akoma, varesh akoma; dhe kjo duhet të të jepet nga Ai, sepse e gjitha vjen nga Ai dhe vetëm Ai. Për ta përmbledhur, nëse doni të keni atë fuqi të mrekullueshme në lutje për të cilën sapo fola, duhet të qëndroni në një bashkim të dashur, të gjallë, të vazhdueshëm, të ndërgjegjshëm, praktik, qëndrues me Zotin Jezu Krisht; dhe nëse e arrini këtë përmes hirit hyjnor, atëherë do të kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.
Por ka një cilësim të dytë në tekst dhe ju nuk duhet ta harroni-“dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju.” Sa të rëndësishme janë atëherë fjalët e Krishtit! Ai tha në vargun e katërt, “Qëndroni në Mua dhe Unë do të qëndroj në ju,” dhe si paralele me këtë Ai thotë, “Nëse qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju.” Çfarë pra, a janë fjalët e Krishtit dhe vetë Ai njësoj? Po, praktikisht ashtu është. Disa flasin për Krishtin si Mësuesi, por sa për doktrinën, ata nuk e vrasin mendjen se çfarë shprehin fjalët e Tij. Ajo që ka rëndësi për to është që zemrat e tyre të jenë ashtu si duhet kundrejt personit të Tij. Nga momenti që kanë këtë ata pretendojnë lirinë e mendimit. Epo ky në fakt është veçse një marifet. Ne nuk mund ta ndajmë Krishtin prej Fjalës; sepse, në radhë të parë Ai është Fjala; dhe së dyti, si guxojmë ta thërrasim Mësues dhe Zot dhe nuk vëmë në praktikë ato që Ai thotë, duke hedhur poshtë të vërtetën që Ai mëson? Ne duhet t’i bindemi parimeve të Tij ose Ai nuk do të na pranojë si dishepujt e Tij. Veçanërisht kur bëhet fjalë për atë parim dashurie që është thelbi i të gjitha fjalëve të Tij. Ne duhet ta duam Perëndinë dhe vëllezërit tanë; po, ne duhet të tregojmë dashuri për të gjithë njerëzit dhe të kërkojmë të mirën e tyre. Zemërimi dhe ligësia duhet të qëndrojnë larg nesh. Ne duhet të ecim ashtu si Ai eci. Nëse fjalët e Krishtit nuk qëndrojnë në ty, si për besimin e tyre ashtu si dhe për zbatimin e tyre, ti nuk je në Krishtin. Krishti dhe ungjilli i Tij dhe urdhërimet e Tij janë një. Nëse nuk do të pranosh Krishtin dhe fjalët e Tij, as Ai nuk do dojë të të pranojë ty dhe as fjalët e tua; dhe ti do kërkosh më kot, dalëngadalë do heqësh dorë nga të kërkuarit dhe do të bëhesh si një shermend i vyshkur. I dashur, ndonëse flas kështu, jam i bindur për gjëra më të mira mbi ty dhe që i takojnë shpëtimit.
Oh paçim hir për të kaluar në këto dy porta të arta! “Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju.”
III. Së fundi do të përpiqem të tregoj se pse KY PRIVILEGJ DUHET FITUAR NË KËTË MËNYRË. Pse u jipet atyre që qëndrojnë në Krishtin kjo fuqi e jashtëzakonshme e lutjes? Ajo që kam për t’ju thënë ju dhëntë zemër për të bërë përpjekjen e lavdishme për të fituar këtë perlë të çmuar! Pse ndodh që, duke qëndruar në Krishtin dhe duke pasur fjalët e Tij që qëndrojnë në ne, ne arrijmë te kjo liri dhe mbizotërim në lutje?
I përgjigjem kësaj, së pari, prej plotësisë së Krishtit. Mund të kërkoni çfarë të doni kur qëndroni në Krishtin sepse çfarë do që mund të kërkoni është e ruajtur tashmë në Të. Peshkopi i mirë Holl e shtjelloi këtë mendim në një pasazh të famshëm. Do ju jap thelbin e tij. A e dëshironi hirin e Frymës? Shikoni vajosjen e Zotit tuaj. A kërkoni shenjtëri? Shikoni shembullin e Tij. A kërkoni falje mëkati? Shikoni te gjaku i Tij. A kërkoni mortifikimin e mëkatit? Shikoni te kryqëzimi i Tij. A kërkoni të jeni të varrosur për botën? Shkoni te varri i Tij. A kërkoni të ndjeni plotësinë e një jete hyjnore? Vështroni ringjalljen e Tij. A do donit të ngriheshit mbi botën? Vini re ngjitjen e Tij lart. A do donit të soditnit gjëra qiellore? Kujtoni ndërhyrjen e Tij në krahun e djathtë të Perëndisë dhe kujtoni se “na ringjalli me Të, dhe me Të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus”. E kam shumë të qartë se pse shermendi merr gjithçka ka nevojë ndërsa qëndron në hardhi, përderisa gjithçka që ka nevojë gjendet tashmë në hardhi dhe gjendet aty për hir të shermendit. Çfarë do donte më shumë shermendi se sa do të mund t’i jepte hardhia? Nëse do donte më shumë nuk do merrte gjë; sepse nuk ka mjet tjetër përveçse duke thithur jetën e tij prej hardhisë. O Zoti im i çmuar, nëse do doja diçka që nuk gjendet në Ty, do të dëshiroja gjithmonë të jem më mirë pa të. Dëshiroj të më refuzohet një dëshirë që nuk gjendet në Ty. Por nëse përmbushja e dëshirës sime gjendet tashmë në Ty, e pse të shkoja diku tjetër? Ti je gjithçkaja ime; ku të shkoj tjetër? Të dashur, “Atit i pëlqeu që në Të të banojë e gjithë plotësia” dhe kënaqësia e Atit është kënaqësia jonë gjithashtu: ne gëzohemi se nxjerrim gjithçka prej Jezusit. Ndjehemi të sigurt se, çfarëdo që të kërkojmë, do ta kemi, përderisa Ai e ka tashmë gati për ne.
Arsyeja tjetër është pasuria e Fjalës së Perëndisë. Kini vëmendjen te këto fjalë, “Në qoftë se fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Më i miri prej njerëzve lutës është ai njeri që me besim është më së shumti i familjarizuar me premtimet e Perëndisë. Fundi i fundit, lutja nuk është gjë tjetër veçse t’ia shpiesh premtimet e Perëndisë Atij dhe t’i thuash, “Bëj ashtu si ke thënë”. Lutja është përdorimi i premtimit. Lutja që nuk është e themeluar mbi një premtim nuk ka themel të vërtetë. Nëse shkoj në një bankë pa pasur çek nuk kam pse të pres për para; është “urdhëri për të paguar” që bën fuqinë time brenda bankës dhe garancinë për pritshmërinë time për të marrë. Ju që keni fjalët e Krishtit që qëndrojnë në ju jeni të pajisur me ato gjëra që Zoti i shikon me vëmendje. Nëse Fjala e Perëndisë qëndron në ty, ti je njeriu që mund të lutet, sepse e takon Perëndinë e madh me vetë fjalët e Tij, dhe kështu mposht plotfuqishmërinë me plotfuqishmëri. Ti e vë gishtin në vetë ato rreshta dhe thua, “Bëj ashtu si ke thënë.” Kjo është lutja më e mirë në të gjithë botën. O i dashur, mbushu me Fjalën e Perëndisë. Studjo çfarë ka thënë Jezusi, çfarë Fryma e Shenjtë ka lënë të regjistruar në këtë Libër hyjnisht të frymëzuar, dhe në përpjestim të të ushqyerit dhe mbushjes tënde me Fjalën, të ruajtjes së Fjalës në besimin tënd, dhe bindjes ndaj Fjalës në jetën tënde-në atë përpjestim ti do të jesh një mjeshtër në artin e lutjes. Ke fituar aftësi si mundës me ëngjëllin e besëlidhjes në përpjestim të marrjes për mbrojtje të premtimeve të Perëndisë tënd besnik. Ji i mirëmësuar me doktrinat e hirit dhe lër fjalën e Krishtit të banojë me begati në ty, që të dish kështu se si të mbizotërosh në fronin e hirit. Të qëndrosh në Krishtin, dhe fjalët e Tij që qëndrojnë në ju, janë si dora e djathtë dhe dora e majtë e Moisiut, që mbaheshin të ngritura lart në lutje, derisa Amaleku u godit, Izraeli u çlirua dhe Perëndia u lavdërua.
Le të shkojmë një çik më tej: ti akoma mund të thuash se nuk e kupton vërtet se pse një njeri që qëndron në Krishtin dhe në të cilin fjalët e Krishtit qëndrojnë, mund të kërkojë çfarë të dojë dhe do t’i bëhet. Të përgjigjem përsëri: është kështu sepse në një njeri të tillë ka një mbizotërim të hirit që e bën atë të ketë një vullnet të përtëritur, që është sipas vullnetit të Perëndisë. Përfytyro një njeri të Perëndisë duke u lutur dhe ai mendon se kjo ose ajo gjë është e dëshirueshme, prapëseprapë ai sjell në mendje se nuk është asgjë përveçse një foshnje në praninë e Atit të Tij të gjithëditur, kështu që ai përkul vullnetin e tij dhe kërkon si favor që t’i mësohet se çfarë të kërkojë. Edhe pse Perëndia e urdhëron që të kërkojë çfarë të dojë, ai zmbrapset me druajtje dhe klith, “Zoti im, para teje po sjell një kërkesë për të cilën nuk jam shumë i kthjellët. Për aq sa e gjykoj, është diçka e dëshirueshme dhe unë e dua; por Zot, kush jam unë që të gjykoj për veten time ashtu si duhet dhe prandaj dhe të lutem, mos bëj ashtu si dua, por ashtu si do Ti.” A nuk e shikoni se kur ne jemi në një gjendje të tillë si kjo, vullneti ynë i vërtetë është vullneti i Perëndisë. Thellë në zemrat tona ne duam vetëm atë që vetë Zoti do; dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse të kërkosh çfarë të duash dhe do na bëhet. Prandaj dhe Perëndia i thotë shpirtit të shenjtëruar, “kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.” Instinket qiellore të atij njeriu e udhëheqin ashtu si duhet; hiri që është brenda shpirtit të tij largojnë me forcë të gjitha epshet lakmitare dhe dëshirat e marra dhe vullneti i tij është hija e tanishme e vullnetit të Perëndisë. Jeta shpirtërore mbizotëron në të dhe kështu që aspiratat e tij janë të shenjta, qiellore, të perëndishme. Ai është bërë pjesëmarrës i natyrës hyjnore; dhe ashtu si një bir i ngjan atit të tij, po ashtu tani, në dëshirë dhe vullnet ai është një me Perëndinë. Ashtu si jehona i përgjigjet zërit, po ashtu zemra e përtëritur i bën jehonë mendjes së Zotit. Dëshirat tona reflektojnë rrezet e vullnetit hyjnor: kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.
E shikoni qartë pra se Perëndia i shenjtë nuk mund të zgjedhë një njeri të zakonshëm prej turmës në rrugë dhe t’i thotë, “Do të të jap çfarë do që të kërkosh.” Çfarë do kërkonte ky njeri? Ai do kërkonte për një pije të mirë, ose leje për t’u kënaqur në epsh të lig. Do ishte shumë gjë e rrezikshme t’u jepje shumicës së njerëzve këtë leje. Por kur Zoti ka zgjedhur një njeri, e ka bërë të ri, e ka gjallëruar në risi jete dhe e ka krijuar sipas imazhit të Birit të Tij të shtrenjtë, atëherë Ai mund t’i zë besë! Shikoni, Ati ynë i madh na trajton sipas masës sonë ashtu si ka trajtuar të Vetëmlindurin e Tij. Jezusi mundi të thonte, “Unë e dija mirë se Ti gjithnjë më dëgjon dhe Zoti është duke na edukuar ne për të njëjtën siguri. Ne mund të themi bashkë me dikë dikur, “Zoti do më dëgjojë.” A nuk ju lëshon goja lëng për këtë privilegj të lutjes mbizotëruese? A nuk digjet me zjarr zemra juaj për ta arritur? Është përmes shtegut të shenjtërisë, përmes shtegut të bashkimit me Krishtin, përmes shtegut të qëndrimit të vazhdueshëm në Të dhe një mbërthimi të bindur të së vërtetës së Tij, që keni për ta arritur këtë privilegj. Shikoni pra të vetmen rrugë të vërtetë dhe të sigurtë. Kur ta keni shkelur një herë këtë rrugë, do ta kuptoni se është një rrugë më se e sigurtë dhe e efektshme për të fituar fuqi thelbësore në lutje.
Nuk kam mbaruar ende. Një njeri do dalë i suksesshëm në lutje kur besimi i tij është i fortë; dhe ky është rasti i atyre që qëndrojnë në Jezusin. Është besimi që mbizotëron në lutje. Gojëtaria e vërtetë e lutjes është një dëshirë besimtare. “Të gjitha gjërat janë të mundshme për atë që beson”. Një njeri që qëndron në Krishtin dhe me fjalët e Krishtit që qëndrojnë në Të, është një besimtar në shkallë të lartë dhe si rrjedhojë shumë i suksesshëm në lutje. Ai ka besim të fortë me të vërtetë, sepse besimi i tij e ka sjellë në kontakt jetësor me Krishtin, kështu që ai është në burimin e çdo bekimi dhe mund të pijë sa të dojë në vetë burimin.
Akoma, një njeri i tillë, do të zotërojë gjithashtu përbanimin e Frymës së Perëndisë. Nëse ne qëndrojmë në Krishtin dhe fjalët e Tij qëndrojnë në ne, atëherë Fryma e Shenjtë ka ardhur dhe na ka bërë vendbanimin e Tij; dhe çfarë ndihme më të mirë mund të kemi ne në lutje? A nuk është një gjë e mrekullueshme që vetë Fryma e Shenjtë ndërhyn për të shenjtët sipas vullnetit të Perëndisë? “Vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.” Kush e njeh mendjen e njeriut përveç fryma e njeriut? Fryma e Perëndisë e njeh mendjen e Perëndisë dhe Ai punon në ne që të duam çfarë Perëndia do, kështu që lutja besimtare e një njeriu është qëllimi i Perëndisë i reflektuar në shpirt si në një pasqyrë. Dekretet e përjetshme të Perëndisë shtrijnë hijen e tyre mbi zemrat e njerëzve të perëndishëm në formën e lutjes. Atë çfarë Perëndia synon Ai ua thotë shërbëtorëve të Tij duke i prirur ata t’i kërkojnë Atij çfarë Ai vetë është i vendosur të bëjë. Perëndia thotë, “Do të bëj këtë dhe atë”; por më pas Ai shton, “nuk do të lejoj të konsultohem nga ju o shtëpi e Izraelit.” Sa e qartë që është se nëse ne qëndrojmë në Krishtin dhe fjalët e Tij qëndrojnë në ne, ne mund të kërkojmë çfarë të duam! Sepse do të kërkojmë veçse çfarë Fryma e Perëndisë na shtyn të kërkojmë; dhe pa dyshim që është e pamundur që Perëndia Fryma e Shenjtë dhe Perëndia At të jenë në kontradiktë me njëri tjetrin. Çfarë njëri na nxit të kërkojmë, tjetri me siguri që ka vendosur të japë.
Sapo bëra një shënim që më duhet t’i kthehem veçse për një moment. Të dashur, a e dini se kur ne qëndrojmë në Krishtin dhe fjalët e Tij qëndrojnë në ne, Ati na shikon njësoj sikur të shikonte Birin e Tij të shtrenjtë? Krishti është hardhia dhe hardhia përfshin shermendet. Shermendet janë pjesë e hardhisë. Prandaj dhe Perëndia na shikon si gjymtyrë të Krishtit, të trupit, të mishit dhe të kockave të Tij. Aq e madhe është dashuria e Atit për Jezusin sa nuk i refuzon asgjë. Ai u bind deri në vdekje, madje në vdekjen e kryqit; prandaj dhe Ati i Tij e do si Ndërmjetësin mes Perëndisë dhe njeriut dhe do t’i plotësojë të gjitha kërkesat. Dhe kështu është se kur ne jemi në bashkim të vërtetë me Krishtin, Zoti Perëndi na shikon njësoj si shikon Jezusin dhe na thotë, “Nuk do t’ju refuzoj asgjë; kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet”. Kështu e kuptoj unë tekstin.
Ju tërheq vëmendjen ndaj faktit se në kapitullin e pesëmbëdhjetë, vargu i nëntë, që nuk e lexova këtë mëngjes thotë: “sikurse Ati më ka dashur Mua, ashtu dhe Unë ju kam dashur juve.” Të njëjtën dashuri që Perëndia tregon ndaj Birit të Tij, Biri e tregon ndaj nesh; dhe prandaj ne qëndrojmë në dashurinë e Atit dhe të Birit. E si vallë do hidheshin poshtë lutjet tona? A nuk do tregojë vëmendje ndaj kërkesave tona dashuria e pakufishme? O vëlla i shtrenjtë në Krishtin, nëse lutjet e tua nuk rendin për te froni, atëherë fillo të dyshosh se mos ka ndonjë mëkat që i pengon ato: dashuria e Atit tënd e shikon si të nevojshme të të qortojë në këtë mënyrë. Nëse nuk qëndron në Krishin, si vallë mund të shpresosh të lutesh me sukses? Nëse ti përzgjedh fjalët duke marrë njërën dhe duke lënë tjetrën, duke dyshuar njërën dhe tjetrën, si mund të shpresosh vallë për të rendur te froni? Nëse je vullnetarisht i pabindur ndaj ndonjë fjale të Tij, a nuk do të thoshte kjo dështim në lutje? Por qëndro në Krishtin dhe kapi fort fjalët e Tij dhe ji dishepulli i Tij dhe atëherë do dëgjohesh. Duke u ulur në këmbët e Jezusit, duke dëgjuar zërin e Tij, ti mund të ngresh sytë e tu për të parë fytyrën e Tij të dashur dhe të thuash, “Zoti im, më dëgjo tani”; dhe Ai do të të përgjigjet hirshëm: Ai do të të thotë, “në kohë të pëlqyer Unë të ndihmova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova. Kërko çfarë të duash dhe do të të bëhet.” Oh paçim fuqi në fronin e mëshirës!
Miq të dashur, mos e dëgjoni këtë predikim për ta harruar më pas mbasi të largoheni. Përpiquni fort që të arrini këtë gjendje me ndikim të pakufishëm. Çfarë kishe do ishim sikur të ishim të gjithë të fuqishëm në lutje! Fëmijë i shtrenjtë i Perëndisë, a dëshiron të jesh vallë i uritur? Vëllezër të shtrenjtë, a dëshironi vallë të jeni fëmijë imcakë e shëndetligë që nuk kanë për t’u rritur kurrë? Ju lutem që të aspironi të jeni të fortë në Zotin dhe të gëzoni këtë privilegj tepër të lartë. Çfarë ushtrie do të ishit sikur të gjithë të kishit këtë fuqi me Perëndinë në lutje! Kjo është e arritshme për ju, fëmijë të Perëndisë! Veçse qëndroni në Krishtin dhe fjalët e Tij të qëndrojnë në ju dhe atëherë ku privilegj i veçantë do bëhet juaji. Këto nuk janë detyra të mërzitshme por janë në vetvete gëzim. Jepuni atyre me gjithë zemrën tuaj dhe do t’ju shtohet ky privilegj për të patur atë që kërkoni.
Për fat të keq, ky tekst nuk i flet aspak një pjese të këtij kongregacioni; sepse disa nga ju madje nuk janë në Krishtin dhe prandaj nuk mund të qëndroni në Të. O zotërinj, çfarë t’ju them juve? Më dukeni se po humbisni madje tani parajsën. Nëse nuk do kishte ferr është mjaftueshëm ferr të mos e njohësh Krishtin tani, të mos njohësh se çfarë është të mbizotërosh me Perëndinë në lutje, të mos njohësh privilegjin e përzgjedhur të të qëndruarit në Të, dhe fjalët e Tij të qëndrojnë në ju. Puna juaj e parë është që të besoni në Jezus Krishtin për shpëtimin e shpirtrave tuaj, duke ia dhënë shpirtrat tuaj pastrimit të Tij, jetët tuaj qeverisjes së Tij. Perëndia e ka dërguar si Shpëtimtar, pranoheni Atë. Pranoheni si Mësuesin tuaj; jipjani veten tuaj Atij si Mjeshtri juaj. Fryma e Tij e hirshme ardhtë dhe punoftë këtë vepër në ju dhe më pas, mbas kësaj, por jo më parë, ju mund të aspironi për këtë nder. Së pari-“Ju duhet të lindni sërish.” Ashtu siç jeni tani nuk mund t’ju them, “rrituni,” sepse veçse do rriteshit në mëkatin tuaj.
Sado që të zhvilloheshit, do të zhvillonit veçse atë çfarë është në ju; domethënë bijtë e zemërimit do bëhen gjithnjë e më shumë bijtë e ligësisë. Ju duhet të bëheni krijesa të reja në Krishtin: duhet të ketë një ndryshim absolut, një përmbysje të të gjitha rrymave të natyrës. Duhet të bëheni një krijesë e re në Krishtin Jezus dhe vetëm atëherë mund të aspironi të qëndroni në Krishtin dhe të lini fjalët e Tij të qëndrojnë në ju dhe mbizotërimi i mëpasshëm me Perëndinë në lutje do të bëhet juaji.
Zot i hirshëm, na ndihmo këtë mëngjes. Ashtu krijesa të mjera siç jemi, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shtrihemi te këmbët e Tua. Eja dhe na ngri te Ty, për hir të mëshirës Tënde! Amen.