Shpëtimi i Çarls Spërxhën
nga Filip R. Xhonson
Shpëtimi i Charles Spurgeon.
Shumë vetë e dinë se Çarls Spërxhën erdhi te Krishti kur u strehua në një kishë të vogël për t’i shpëtuar një stuhie dëbore dhe aty dëgjoi shpalljen e ungjillit. Disa gabimisht mendojnë se Spërxhën kështu papritur u kthye nga një jetë krejt pagane,në besim te Krishti. Spërxhën vetë tregonte se si kishte vuajtur për shumë kohë nën peshën e mëkatit para se,përfundimisht,të gjente Krishtin. Për shkak të mënyrës se si e përshkruan veten si një mëkatar në borxh gjer në fyt ndaj hirit hyjnor,shumë veta që e dëgjuan duke predikuar, u larguan me përshtypjen se ky ishte një njeri që ishte zhytur thellë në mëkat dhe kishte ardhur te Krishti mjaft vonë në jetë.
Por faktet tregojnë se Çarls Spërxhën u kthye në besim në Krishtin ndërsa ishte ende i ri dhe ishte produkt i rritjes së perëndishme në një familje pastori. Dy shembujt kryesorë të Spërxhënit, i ati dhe gjyshi, ishin të dy pastorë të perëndishëm.
Spërxhën u rrit në familjen e gjyshit nga mosha dy deri në gjashtë vjeç. Diçka, ndoshta vështirësitë ekonomike, e detyruan Çarlsin të jetonte me gjyshërit e moshuar në një fshat pranë vendit ku banonin prindërit e tij. Çarls Spërxhën ishte shoqëruesi i përhershëm i gjyshit,si në studime pastorale, ashtu edhe kur plaku Spërxhën bënte vizita pastorale. Çarlsi i ri i donte librat e gjyshit dhe ishte gjeni kur vinte puna për të lexuar. Ai fitoi një dashuri për librat shumë herët, sidomos për librin “Udha e Shtegtarit.”
Në kohën kur Spërxhëni u kthye në shtëpinë e prindërve në moshën gjashtë vjeç, ai tashmë kishte dy motra dhe një vëlla,më të vegjël se veten. Ai dukej tashmë se e ndiente thellë përgjegjësinë si vëllai i madh për të ndikuar për mirë tek ata.Kjo perspektivë,që sigurisht ishte pjesë e trashëgimisë pastorale nga gjyshi, e bëri më të pjekur për moshën dhe kjo mbeti shenjë e pandashme e tij. Si djalosh, para se të bëhej adoleshent,kishte dëshirë të shkruante poezi dhe të redaktonte një revistë. Që atëherë po skaliste aftësitë letrare që do ta bënin legjendar si predikues dhe si autor. Mund ta shihni Spërxhënin në çdo fazë të zhvillimit dhe ajo që do të vini re është një njeri më i urtë për moshën që kishte, me një këndvështrim veçanërisht të pjekur mbi jetën. Edhe Spërxhëni vetë i është referuar kësaj. Kur ishte dyzet vjeç u dha leksion disa të rinjve dhe në atë leksion tha se ishte tashmë i vjetër që në atë moshë. Ai u tha atyre:
“Mund të kem qenë i ri në moshën dymbëdhjetë vjeç, por në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare isha drejtues serioz, baptist, ulur në karrige duke drejtuar dhe organizuar kishën. Në atë periudhë të jetës,kur ndoshta duhej të isha në fushën e lojës, duke zhvilluar gjymtyrët dhe nyjet, gjë që pa dyshim do të më ruante nga ankimet e tanishme, e kalova kohën nëpër libra, duke studiuar e punuar shumë, duke këmbëngulur aty për kënaqësinë e madhe të drejtorit të shkollës time.”
Në moshën gjashtëvjeçare, kur Spërxhëni u kthye në shtëpinë e prindërve, hyri për herë të parë në shkollë.Me aftësinë për të lexuar dhe dashurinë e tij për librat, u bë një nxënës i talentuar që shkëlqeu që nga fillimi. Ai ua kalonte shokëve të klasës, ndonëse kishte ardhur në shkollë me vonesë. Vetëm një herë në karrierën e tij të shkollës notat dhe paraqitja e tij filluan të binin. Mësuesja u habit, pasi Spërxhëni ishte nxënësi i saj më i mirë. Atëherë mësuesja u përmend se nxënësi më i mirë ishte ulur larg zjarrit dhe ngjitur me një derë që bënte korrent. Ajo e kuptoi se Spërxhëni po paraqitej dobët në mësime me qëllim; ai nuk e donte bankën më të mirë, sepse ishte më e parehatshmja. Kështu me riorganizimin e mënyrës si ishin ulur studentët, paraqitja akademike e Spërxhënit u ngrit sërish për të mos rënë më kurrë. Kur Spërxhën ishte rreth të katërmbëdhjetave, ai dhe vëllai i tij Xhejms, shkonin në shkollë në Meidston, ku xhaxhai i Spërxhënit ishte njëri nga mësuesit. Atje, si adoleshent mjaft i ri, në një bisedë me personelin e shkollës, Çarlsi për herë të parë u ekspozua ndaj pikëpamjes së baptistëve për pagëzimin. (Gjyshi i Spërxhënit ishte kongregacionalist që praktikonte pagëzimin e foshnjave). Një shkollë anglikane ishte vendi i fundit ku dikush me prejardhje kongregacionale të përqafonte bindjet baptiste. Por Spërxhëni, që në atë moshë të re, ndjeu detyrimin për të studiuar çështjen nga Shkrimi dhe për të mbajtur qëndrim. Ndërsa veproi kështu, kuptoi se qëndrimi i baptistëve ishte i pamohueshëm. Kështu që e ndau mendjen që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare se, po të përjetonte ndonjëherë kthimin në besim, do të pagëzohej. I tillë ishte interesi i tij në gjërat shpirtërore që para se të shpëtohej.
Kur Çarlsi ishte rreth dhjetë, apo njëmbëdhjetë vjeç, ai filloi të bindej thellësisht për mëkatin e vet. Ai ishte i bindur që nuk kishte një njohje shpëtuese të Krishtit. Kështu iu fut një kërkimi për shpëtimin që zgjati rreth pesë vjet. Kjo ishte një kohë agonie për Spërxhënin, pasi ai tashmë i shihte çështjet shpirtërore me shumë më tepër seriozitet, sesa shumica e djemve të moshës së tij. Dijenia se ai vetë nuk ishte i krishterë i vërtetë, ishte diçka që e rëndonte më shumë se ç’mund të thuhet me fjalë. Kjo iu bë një barrë që ai e mbarti vazhdimisht.
W. Y. Fullerton, një nga autorët e biografisë së Spërxhënit dhe mik i ngushtë në vitet e pjekurisë së tij,shkroi këtë në lidhje me vitet kur Spërxhëni po kërkonte shpëtimin:
“Në këto vite grumbulloi një botë përvoje e cila e aftësoi atë në shërbesën e tij të mëvonshme për të hetuar të fshehtat e shumë zemrave. Ai mësoi më shumë për gjërat që kanë rëndësi në këto vite, se ç’mësojnë njerëzit në një jetë të tërë.Ky djalë kaq i ri, kaq i përmbajtur, i përgatitur që nga foshnjëria në udhët e Perëndisë, mund të ketë ndier kaq shumë dhe mund të ketë pasur ushtrime të tilla të shpirtit që mund të duken të pamundura. Rrëfimi i tij për errësirën dhe dëshpërimin e vet mund të duket i tepruar, por ata që janë të shtruar në udhët e Perëndisë do ta kuptojnë.”
Rrëfimi i Spërxhënit për përleshjen e tij për të gjetur shpëtimin me të vërtetë na çudit që një djalë si ai mund ta ndiente mëkatin e vet kaq thellësisht. Në fund të fundit, ai u rrit në një familje të perëndishme, në familjen e një pastori. Ai nuk kishte kryer kurrë ndonjë lloj mëkati skandaloz (ndoshta mëkati më serioz në të cilin kishte rënë ndonjëherë ishte një gënjeshtër); dhe megjithatë barra e mëkatit të tij e rëndoi kaq shumë, sa e çoi në buzë të dëshpërimit më të madh.Ja çfarë ka shkruar Spërxhën vetë për ato ditë të errëta të shpëtimit:
“Kur isha në duart e Frymës së Shenjtë, nën bindjen për mëkat, pata një ndjesi të qartë dhe therëse për drejtësinë e Perëndisë. Mëkati, pavarësisht se çfarë mund të ishte për të tjerët, për mua u bë një barrë e patolerueshme. Nuk i frikësohesha aq shumë ferrit, sa ç’i frikësohesha mëkatit; dhe gjatë gjithë kësaj kohe, kisha në mendje një merak të thellë për nderimin e emrit të Perëndisë dhe integritetin e qeverisjes së Tij morale. Ndieja se ndërgjegja ime nuk do të kënaqej nëse do të falesha padrejtësisht. Por pastaj më erdhi pyetja: “Si mund të ishte i drejtë Perëndia, e megjithatë, të më shfajësonte mua që kisha qenë aq fajtor?” U shqetësova dhe u drobita me këtë pyetje; as që mund të shihja ndonjë përgjigje për të. Sigurisht, unë kurrë nuk do të mund të shpikja një përgjigje e cila do të kënaqte ndërgjegjen time. Kisha dëgjuar për planin e shpëtimit përmes sakrificës së Jezusit që nga rinia e deri tani, por nuk dija më tepër për të në thellësitë e shpirtit tim, si të isha lindur e rritur në një fis afrikan. Drita ekzistonte, por isha unë i verbër: ishte e domosdoshme që Zoti Vetë të ma bënte të qartë këtë çështje.” Vini re mënyrën poetike si Spërxhën përshkruan ndjesinë e fajit që e rëndonte. Mbani mend, po flet për veten si djalosh. Ishte adoleshent i ri në kohën që po përshkruan, ndoshta as adoleshent tamam nuk ishte akoma. (Gjithë periudha e bindjes së tij kaloi nga mosha njëmbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.) Ai më tej shkruan:
“Një ditë, ndërsa dilja shëtitje, arrita tamam në një vend të gdhendur përgjithmonë në kujtesën time, pasi atje pashë këtë Mikun, Mikun tim më të mirë dhe të vetëm, të vrarë. U përkula poshtë me frikë e trishtim dhe e pashë. Vura re se duart e Tij ishin shpuar me gozhdë çeliku të rënda dhe këmbët e Tij ishin tejshpuar në të njëjtën mënyrë. Në pamjen e Tij të vdekur pashë mjerim kaq të tmerrshëm, sa mezi guxova ta shihja. Trupi i Tij ishte dobësuar nga uria, shpina e Tij ishte skuqur me varra të përgjakura dhe vetulla e Tij kishte një rreth plagësh përqark: dukej qartë që këto ishin shkaktuar nga gjembat. U drithërova, sepse e kisha njohur këtë Mik mjaft mirë. Ai kurrë nuk kishte bërë ndonjë faj; Ai ishte më i pastëri i të pastërve, më i shenjti i të shenjtëve. Kush mund ta kishte lënduar? Ai kurrë nuk lëndoi njeri: gjithë jetën e Tij Ai “bëri mirë.” Ai kishte shëruar të sëmurët, Ai kishte ushqyer të uriturit,Ai kishte ringjallur të vdekurit: për cilat nga këto vepra e vranë? Ai kurrë nuk kishte nxjerrë gjë tjetër veç dashurisë; dhe ndërsa e vështrova fytyrën e Tij të vrarë e të pikëlluar, plot me agoni, e megjithatë, plot me dashuri, pyeta veten se kush mund të kishte qenë aq i poshtër e i lig, sa të shponte duar si të Tijat. Thashë me vete: “Ku mund të jetojnë të tillë tradhtarë? Kush janë ata që mund ta kenë goditur Një të tillë si ky? Po të kishin vrarë një shtypës, edhe mund t’i kishim falur; po të kishin ekzekutuar dikë që ishte zhytur në poshtërsi e ligësi, mund të kishte qenë ajo që ka merituar; po të kishte qenë vrasës dhe rebel, apo njeri që ka nxitur kryengritje, do të kishim thënë: “Varroseni kufomën: më në fund drejtësia i ka dhënë hakun.” Por kur Ti u there, më i miri, i vetmi Miku im i dashur, ku u strehuan tradhtarët?
Lermë t’i kap dhe do të dënohen me vdekje. Po të ketë tortura që mund të shpik, me siguri ata do t’i provojnë. Ah! Çfarë xhelozie, çfarë hakmarrjeje ndjeva! Veç të mund t’i gjeja ata vrasës, çfarë nuk do t’ju bëja! Ndërsa e shikoja atë kufomë, dëgjova zhurmë hapash dhe mendova kush mund të ishte.Dëgjova dhe e kuptova qartë se vrasësi ishte shumë afër. Ishte errësirë dhe u përpoqa ta gjeja. Pashë se, në një mënyrë, a në një tjetër, kudo që e vija dorën, nuk e kapja dot, sepse ishte më afër meje sesa zgjatimi i dorës sime. Më në fund e vura dorën mbi gjoks. “Të zura tani,” i thashë; pasi, hej, ai ishte në zemrën time. Vrasësi po fshihej në gjirin tim, banonte në skutat e thellësisë së shpirtit tim. Ah! Atëherë qava me të vërtetë, se unë, tamam në praninë e Mjeshtrit tim të vrarë, po strehoja vrasësin; dhe u ndjeva më fajtori nga të gjithë, ndërsa u përkula mbi kufomën e Tij….”
Kjo, natyrisht, u shkrua nga Spërxhëni në vitet e pjekurisë së tij, kështu që përfaqëson mënyrën e tij të pjekur të përshkrimit të asaj që ndjeu si fëmijë. Por është e qartë se edhe si njëmbëdhjetëvjeçar ai mbartte një ndjesi të fajit personal që ishte jashtëzakonisht i rëndë. Ky faj ishte aq i thellë, sa ngjyrosi gjithë mendimin e tij për pesë vjet. Ai kurrë nuk mund t’i largonte mendimet krejtësisht larg ndjesisë se ishte mëkatar, se ishte fajtor dhe se meritonte ferrin.Mamaja e Spërxhënit ishte ajo që e zgjoi atë ndaj thënieve të Krishtit. Këshillat e saj për fëmijët, si dhe lutjet e saj për ta, patën një ndikim të pashlyeshëm në Çarlsin si djalë i ri.Babai i Spërxhënit luajti një rol disi më të vogël në udhëzimin shpirtëror të fëmijëve. Ai ishte pastor dhe njeri i perëndishëm. Ai ka pranuar vetë se e shoqja, më tepër se ai, ishte përgjegjëse për mësimin shpirtëror të fëmijëve. Në fakt, ai përmendte një inicident që u shfaq kur ishte nisur për një takim ku do të predikonte. (Takimet ku predikonte shpesh e largonin atë nga shtëpia.) Në këtë rast të veçantë ai u bind se po kujdesej për njerëzit e tjerë dhe nevojat e tyre shpirtërore, por po linte pas dore familjen dhe fëmijët e vet. Kështu, thotë ai, u kthye në shtëpi. Kur arriti në shtëpi, hyri brenda dhe dëgjoi znj. Spërxhën në një dhomë tjetër duke u lutur për kthimin në besim të fëmijëve të saj. Xhon Spërxhën thotë se e pa që mirëqenia shpirtërore e fëmijëve të vet ishte në duar të sigurta dhe kështu u kthye për në takimin ku do të predikonte.
Megjithatë, do të ishte gabim të arrinim në përfundimin se Xhon Spërxhën ishte baba i pavëmendshëm,apo pa dhembshuri. Ai ishte i përkushtuar ndaj fëmijëve të vet. Ishte i përfshirë në jetët e tyre. Fullerton shkruan një histori prekëse rreth marrëdhënies atë-bir:
“Kur djali u kthye në shtëpi nga gjyshi, ai e skandalizoi pa masë bashkësinë të dielën duke kënduar rreshtin e fundit të çdo strofe dy herë. I ati e mori në pyetje për këtë, por ai tha se gjyshi e këndonte kështu dhe ai do ta këndonte njësoj. Kështu, i ati i tha se po ta përsëriste prapë, do ta fshikullonte aq sa ta mbante mend gjithë jetën. E diela erdhi dhe përsëri djali këndoi vargjet e fundit dy herë. Duhet të ketë qenë zbavitëse, pasi ai nuk kishte zë të mirë për të kënduar. Pas shërbesës, i ati e pyeti nëse e mbante mend çfarë i kishte thënë. Djali e mbante mend. Babë e bir pastaj hynë në pyll, duke kaluar nëpër një arë me grurë gjatë rrugës, ndërsa babai përpiqej ta kthente të birin në pendim. Atje u gjunjëzuan e u lutën bashkë dhe të dy u prekën shumë. Duke u kthyer tek ara me grurë, babai shkuli një bimë gruri dhe i tha Çarlsit të nxirrte dorën. Bima e grurit u vendos butësisht në pëllëmbën e tij. “Të thashë se do të të jepja një fshikullim që nuk ke për ta harruar gjithë jetën. Këtë nuk ke për ta harruar kurrë,” i tha babai. Ashpërsia e butë e ndëshkimit e theu dhe e bëri për vete dhe ai nuk e harroi kurrë.”
Babai i Spërxhënit, pa dyshim ishte një njeri që e donte Krishtin thellësisht. Dhembshuria dhe butësia e tij e madhe lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e Çarlsit të ri. Si rrjedhim, babai i Spërxhënit, gjyshi i tij dhe mbi të gjithë, nëna e tij kishin një ndikim të madh tek ai nga ana shpirtërore.Të dielave në darkë Zonja Spërxhën i mblidhte fëmijët bashkë rreth tavolinës për të lexuar nga Shkrimi dhe për t’u lutur. Spërxhëni tha që nëna e tij lutej kështu: “Tani, o Zot, nëse fëmijët e mi vazhdojnë në mëkate,nuk do të jetë për shkak të mosdijes që do të humbasin. Shpirti im do të dëshmojë shpejt kundër tyre ditën e gjykimit nëse ata nuk besojnë në Krishtin.” Spërxhëni tha se mendimi që vetë nëna e tij të jepte dëshmi kundër tij para gjykimit të Krishtit e therte në ndërgjegje. Kështu, për shkak të një ndikimi të tillë, ai filloi të zhvillonte një ndjesi të mprehtë për vetë fajin e tij në kohën kur ishte dhjetë, apo njëmbëdhjetë vjeç. Gjëja që e rëndonte kaq shumë ishte se e kuptonte qartë se ishte fajtor në sytë e Perëndisë. Ai nuk kishte një pikëpamje të kufizuar siç e kanë shumë fëmijë, të cilët hidhërohen, vetëm sepse kanë fyer prindërit e tyre. Spërxhëni dukej se e kuptonte shumë seriozisht që në moshë të hershme, se të gjitha mëkatet e tij ishin mëkate kundër Vetë Perëndisë.Ai, gjithashtu, nuk duket se ka vuajtur nga ai dështim njerëzor i përgjithshëm që kemi shumica prej nesh,krahasimi i vetes me njëri-tjetrin dhe bindja se jemi krejt në rregull, pasi jemi shumë më të mirë se ky,apo ai njeri. Spërxhëni e dinte se si të mos binte në këtë grackë. Ai shkroi këtë:
“Unë nuk mund ta besoja se ishte e mundur që mëkatet e mia të mund të faleshin. Nuk e di pse, por më dukej se isha njeriu më i çuditshëm në botë. Kur doli katalogu, mua më dukej, kushedi pse, sikur më kishin lënë jashtë. Nëse Perëndia do të më kishte shpëtuar mua dhe jo botën, unë vërtet do të isha çuditur; por nëse Ai do të kishte shpëtuar gjithë botën përveç meje, kjo do të më ishte dukur e drejtë. Tani, i shpëtuar përmes hirit, nuk mund të rri pa thënë: “Unë jam vërtet një dru i nxjerrë nga zjarri!”
Pikëpamja unike e Spërxhënit shpjegon pse ai e konsideronte veten si një prej atyre “të cilët u ruajtën nga Perëndia për shumë kohë para se ne ta gjenim atë.” Në mendjen e tij, ato vite të mbartjes së barrës së mëkateve duhet të jenë dukur si një përjetësi. Mbani mend, ai u rrit në familjen e një pastori në një ambient të perëndishëm që nga foshnjëria. Ai nuk duhet të jetë dorëzuar kurrë ndaj ndonjë lloj poshtërsie,apo sjelljeje skandaloze. Ai nuk u përfshi kurrë në ndonjë mëkat që prish reputacionin. Asnjë mëkat skandaloz nuk shfaqet askund në ndonjë nga rrëfimet e jetës së tij. Ai u kthye në besim në një moshë mjaft të re, rreth gjashtëmbëdhjetë vjeç. Megjithatë, ai ruajti në zemër deri në ditën që vdiq një ndjesi shumë të fortë se nuk ishte gjë tjetër, veçse një mëkatar i tmerrshëm. Ai kurrë nuk mendoi se ishte më i mirë se të tjerët. Gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tij, ai vazhdoi ta kishte të freskët kujtimin e asaj barre faji që kishte mbartur. Për këtë arsye, ai ndjeu një afërsi të ngushtë me njerëzit që ishin kthyer në besim te Krishti pas një kohe të gjatë në thellësitë e mëkatit.Ai shkroi:
“Sa më pëlqen ajo figura e të krishterit të vjetër [te Udha e Shtegtarit]. E mbaj mend kur e kam lexuar për herë të parë Udhën e Shtegtarit dhe pashë në të tabllon e të krishterit që mbart barrën mbi shpinë.Ndjeva kaq shumë interes për njeriun e gjorë, sa mendova të kërcej nga gëzimi kur, pasi e kishte mbajtur barrën e rëndë kaq kohë, më në fund ai e hoqi qafe. Kështu u ndjeva kur barra e fajit, të cilën e kisha mbartur kaq gjatë, u rrokullis përgjithmonë nga shpatullat e mia dhe nga zemra ime.”
Gjatë atyre viteve që u bind për mëkat, Spërxhëni u ekspozua ndaj shumë predikimeve rreth ligjit, fajit e mëkatit dhe e gjithë kjo vetëm sa i përforcoi vuajtjet e tij. Ai shkruan se disa nga librat që lexoi gjatë kësaj kohe përfshinin libra si ai i Filip Dodrixh, Ngritja dhe Rënia e Fesë në Shpirt [The Rise and Progress of Religion in the Soul], Riçard Bakster, Thirrje të Pakthyerve [A Call to the Unconverted], Xhozef Allein,Alarm për Mëkatarët [Alarm to Sinners] dhe librin e Xhon Anxhel Xhejms me titull Kërkuesi Ngulmues [The Anxious Inquirer]. Shumica e këtyre janë libra nga puritanët. Të gjithë synojnë të bindin për mëkat njerëzit që janë tepër të sigurtë në vetvete. Dhe Spërxhëni tha se ishte njësoj sikur të ishte ulur në rrëzë të Sinait. Fullerton shton këtë: “Ai e lexoi gjithë Biblën, por pa se kërcënimet e saj dukeshin sikur ishin shtypur me germa të mëdha dhe premtimet e saj me germa të vogla. Me dinakëri të mbrapshtë… ai shtrembëroi çdo gjë për të lënduar veten, duke i zbatuar fjalët e gëzueshme te të tjerët dhe fjalët e mjerimit te vetja.”
Spërxhëni më vonë shkroi këtë për pështjellimin që përjetoi:
“Ditë e natë dora e Perëndisë rëndonte mbi mua. Nëse flija ndonjë natë, shihja në ëndërr gropën pa fund dhe kur zgjohesha, dukej se ndieja mjerimin që kisha parë në ëndërr. Drejt e në shtëpinë e Perëndisë shkova; kënga ime s’ishte gjë tjetër, veçse psherëtimë. Në dhomën time u tërhoqa, dhe atje,me lot e ngashërima, ofrova lutjen time pa asnjë shpresë dhe pa strehë, pasi ligji i Perëndisë po më fshikullonte me kamzhikun e vet dhjetëfish dhe pastaj më fërkonte me ujë të kripur më vonë, prandaj dridhesha dhe drithërohesha në dhimbje dhe ankth.”
Diku tjetër, Spërxhëni e krahasoi gjithë këtë predikim të ligjit me njeriun që faktikisht plugon të njëjtën tokë herë pas here, “me një tufë prej dhjetë kuajsh të zinj,” dhjetë urdhërimet.Gjatë këtyre viteve të bindjes, asnjë nga ata që e njihnin Spërxhënin nuk duket se dinte gjë për pështjellimin e tij të brendshëm. Ai e kishte mbajtur çdo gjë përbrenda. Fullerton shkroi:
“Nuk duhet menduar se djaloshi u bë i fjetur gjatë këtyre viteve. Ai jetoi dy jetë, njërën të mprehtë, të natyrshme, libradashëse, vëzhguese; tjetrën i mbyllur, plot frikë, me dyshime, i trazuar. Po të kishte folur për hallin e tij, kishte nga ata përreth tij që ndoshta mund ta ndihmonin; por ai luftoi i vetëm,duke i fshehur mendimet e tij prej të tjerëve, përveç një rasti kur foli me gjyshin për frikën e të qenit shpirt i humbur dhe disi u ngushëllua për ca kohë. Ai nuk do të besonte, thjesht sepse të tjerët besonin;ai duhej të kishte sigurinë e vet; ai nuk do të pushonte derisa ta njihte.”
Normalisht, njerëzit që vuajnë me këtë lloj barre do të flasin me të tjerët dhe me dëshpërim do të kërkojnë ngushëllim e siguri dhe ata ushqehen nga siguria që u jep ti. Këshilltari mund të ofrojë fjalë inkurajimi dhe ngushëllimi që mund të zgjasin për ca kohë, por për shkak se çështja nuk është e mbyllur vërtet në zemër,njerëzit kthehen përsëri te dyshimet e tyre. Por Spërxhëni nuk ngelej me kaq. Ai nuk ushqehej nga siguria dhe inkurajimi që mund t’i jepnin të tjerët.Ai e kuptoi se punën e kishte me Perëndinë dhe e mbajti mes vetes dhe Perëndisë. Nuk ka dyshim se do të ishte mirë që Spërxhën të kërkonte ndihmë nga gjyshi dhe gjyshja, nga prindërit, ose nga besimtarë të tjerë të pjekur përreth vetes.Ai përshkruan çfarë ndodhi në ato ditë të errëta të bindjes:
“Ndërsa isha në merak për shpirtin, vendosa të shkoja në të gjitha vendet e adhurimit në qytetin ku jetoja, në mënyrë që të gjeja udhën e shpëtimit. Isha gati të bëja çdo gjë dhe të bëhesha gjithçka, vetëm që Perëndia të falte mëkatin tim. U nisa, i vendosur të shkoja te të gjitha kishëzat dhe vërtet shkova në çdo vend adhurimi; por për një kohë të gjatë shkova më kot. Megjithatë, unë nuk i fajësoj drejtuesit. Njëri predikoi Sovranitetin Hyjnor; unë mund ta dëgjoja me kënaqësi, por çfarë ishte kjo e vërtetë frymëzuese për një mëkatar të gjorë që dëshironte të dinte çfarë duhej të bënte për t’u shpëtuar? Ishte një njeri tjetër i admirueshëm i cili gjithmonë predikonte për ligjin; por ç’dobi kishte të plugoje tokën që kishte nevojë për t’u mbjelljë? Një tjetër ishte predikues praktik. E dëgjova, por ishte shumë i ngjashëm me një oficer komande që u mësonte manovrat e luftës një grupi njerëzish pa këmbë. Çfarë mund të bëja? Gjithë këshillat e tij ishin pa vlerë për mua. E dija se thuhej: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të jesh i shpëtuar;” por nuk e dija se çfarë do të thoshte të besoje në Krishtin. Këta njerëz të mirë të gjithë predikonin të vërtetën e përshtatshme për shumë veta në bashkësitë e tyre që i kushtonin vëmendje gjërave shpirtërore; por ajo që unë doja të dija ishte: “Si mund të më falen mëkatet?”, por ata nuk ma treguan këtë asnjëherë. Kisha dëshirë të dëgjoja se si një mëkatar i gjorë, nën ndjesinë e fajit,mund të gjente paqe me Perëndinë. Kur shkova, dëgjova një mesazh mbi “Mos u mashtro, nuk bëhet shaka me Perëndinë,” që më preu akoma më keq, por nuk më solli prehje. Shkova përsëri një ditë tjetër dhe teksti kishte të bënte me lavditë e të drejtëve; asgjë për mua të mjerin! Unë isha si qeni poshtë tryezës, nuk më lejohej të haja nga ushqimi i fëmijëve. Shkova herë pas here dhe mund të them me ndershmëri se nuk e di nëse shkova ndonjëherë pa iu lutur Perëndisë dhe jam i sigurtë se nuk kishte ndonjë dëgjues më të vëmendshëm në atë vend sesa unë, pasi digjesha dhe përvëlohesha për të kuptuar se si mund të shpëtohesha.”
Përvoja e Spërxhënit më vonë ndihmoi në formimin e shërbesës së tij. Ai kujtonte zhgënjimin kur dëshironte të dëgjonte ungjillin, por pa dëgjuar predikimin e ndonjë gjëje tjetër veç ligjit. Kjo është arsyeja pse ka një temë kaq të fortë ungjillizuese në pothuajse çdo mesazh që predikoi Spërxhëni. Ai pothuajse asnjëherë nuk u largua nga podiumi pa dhënë qartë udhën e shpëtimit dhe pa thirrur mëkatarët te Krishti. Së fundi, kthimi në besim i Spërxhënit erdhi përmes një rrethane shumë të pazakontë. Një të dielë në mëngjes, ndërsa Spërxhëni ishte në këtë fazën e bredhjes nëpër kisha të ndryshme, një stuhi dëbore e tmerrshme sikur bllokoi gjithë qytetin e vogël me emrin Kolçester. Spërxhëni ishte kthyer në shtëpi nga konvikti i shkollës për pushimet e Krishtlindjes. Data mund të përcaktohet me saktësi absolute. Ishte e dielë, më 6 janar, 1850. Stuhia e dëborës filloi herët në mëngjes. Spërxhëni ishte zgjuar herët në mëngjes pasi kishte plane për të shkuar në një kishëz të veçantë në anën tjetër të qytetit dhe, sapo Spërxhëni u nis rrugës për te kjo kishë, stuhia e dëborës u bë më e tmerrshme. Spërxhëni vetë rikujton çfarë ndodhi:
“Nganjëherë mendoj se mund të kisha qenë në errësirë e dëshpërim akoma tani, po të mos ishte mirësia e Perëndisë,i cili dërgoi një stuhi dëbore një mëngjes të diele ndërsa po shkoja diku për të adhuruar. Kur nuk mund të shkoja më tej, u ktheva në një rrugë anësore dhe arrita te një Kishë e vogël Primitive Metodiste. Në atë kishëz atje, mund të mos kishte më shumë se dhjetë, ose pesëmbëdhjetë vetë. Kisha dëgjuar për metodistët primitivë, se si këndonin me zë aq të lartë, sa i bënin njerëzit t’u dhimbte koka, por kjo nuk më shqetësonte. Unë doja të dija si mund të shpëtohesha dhe, nëse ata mund të ma tregonin këtë, nuk më shqetësonte se sa do të më bënin të më dhimbte koka. Pastori nuk erdhi atë mëngjes; ishte bllokuar nga bora, mendoj unë. Më në fund, një njeri shumë thatanik në pamje,këpucëbërës, ose rrobaqepës, ose diçka e këtij lloji, shkoi te podiumi për të predikuar. Tani, është mirë që predikuesit të marrin mësime, por ky burrë ishte vërtet pa shkollë. Ai ishte i detyruar t’i qëndronte besnik tekstit, për arsyen e thjeshtë se kishte shumë pak tjetër ç’të thoshte. Teksti ishte:
“Shikoni nga unë dhe do të shpëtoheni ju mbarë skaje të tokës.”
Ai as nuk i shqiptonte fjalët si duhet, por kjo nuk kishte rëndësi. Ekzistonte, mendova unë, një rreze shprese për mua në atë tekst. Predikuesi filloi kështu: “Miq të dashur, ky është vërtet një tekst shumë i thjeshtë. Këtu thuhet: “Shikoni.” Tani të shikuarit nuk është se kërkon shumë mund. Nuk duhet të ngresh, as këmbën, as gishtin; është thjesht “shikoni.” Epo, njeriu nuk ka nevojë të shkojë në kolegj për të mësuar të shikojë. Mund të jesh budallai më i madh, e prapë mund të shikosh. Njeriu nuk ka pse të jetë një mijë vjeç për të qenë i aftë të shikojë. Kushdo mund të shikojë; edhe një fëmijë mund të shikojë. Por pastaj teksti thotë: “Më shikoni Mua, ej!” thirri ai në dialektin e qytetit Eseks, “shumë prej jush po shikoni veten, por nuk ia vlen të shikoni aty. Nuk do të gjeni kurrë ngushëllim brenda vetes. Disa shohin Perëndinë Atë. Jo, shikoni Atë vetëm. Jezu Krishti thotë: “Më shikoni Mua.” Ca nga ju thonë: “Ne duhet të presim për punën e Frymës.” Me atë nuk keni punë tani në këtë moment. Shikoni Krishtin. Teksti thotë “Më shikoni Mua.” Pastaj njeriu i mirë e plotësoi tekstin kështu: “Më shikoni Mua; po djersij me pika të mëdha gjaku.Më shikoni Mua; jam varur në kryq. Më shikoni Mua; kam vdekur dhe jam varrosur. Më shikoni Mua; jam ngjallur përsëri. Më shikoni Mua; jam ngjitur në qiell. Më shikoni Mua; jam ulur në të djathtën e Atit. O mëkatar i shkretë,më shiko Mua! Më shiko Mua!” Kur kishte vazhduar kaq gjatë, duke ia dalë të flasë për nja dhjetë minuta përafërsisht, kishte ardhur në fund të litarit të vet. Pastaj më pa mua nën galeri dhe, a mund të guxoj të them, me kaq pak veta të pranishëm, ai e dinte se unë isha i huaj. Thjesht duke mbajtur sytë mbi mua, sikur ta njihte gjithë zemrën time, ai tha: “Djalosh, ti dukesh shumë i mjerë.” Në fakt, ashtu ishte; por nuk isha mësuar të më bëheshin komente nga podiumi për paraqitjen time më parë. Megjithatë, kjo ishte një goditje e mirë, qëlloi tamam në shenjë.Ai vazhdoi: “Ti gjithnjë do të jesh i mjerë, i mjerë në jetë dhe i mjerë në vdekje, nëse nuk i bindesh tekstit tim; por nëse bindesh tani, në këtë çast, ti do të shpëtohesh.” Pastaj, duke ngritur duart lart, ai thirri, ashtu si mund të thërrasë vetëm një metodist primitiv: “Djalosh, shiko Jezu Krishtin. Shiko! Shiko! Shiko! Nuk ke asgjë që duhet të bësh, vetëm të shohësh e të jetosh.” Unë e pashë menjëherë udhën e shpëtimit. Nuk e di se çfarë tha tjetër, nuk i kushtova shumë rëndësi, isha aq i pushtuar me atë mendim të vetëm. Njësoj si atëherë kur gjarpri prej bronzi u lartësua, njerëzit vetëm shikonin dhe shëroheshin, kështu ndodhi me mua. Kisha pritur të bëja pesëdhjetë gjëra, por kur dëgjova atë fjalë “Shiko!” sa fjalë e ngrohtë m’u duk! Oh! Shikova derisa gati sa nuk pashë që sytë po më largoheshin. Atje dhe atëherë reja u largua, errësira kishte marrë tatëpjetën dhe atë çast unë pashë diellin. Mund të isha ngritur në atë moment dhe të këndoja me më entuziastin prej tyre, për gjakun e çmuar të Krishtit dhe besimin e thjeshtë që shikon vetëm drejt Tij. Ah, sikur dikush të ma kishte thënë këtë më parë: “Besoji Krishtit dhe do të jesh i shpëtuar.”
Spërxhëni filloi të predikonte menjëherë pas kthimit të tij në besim. Ai u kthye në besim në janar 1850. Në mënyrë mahnitëse, më pak se pesë vjet më vonë ai u thirr që të ishte pastor i bashkësisë Baptiste më të madhe në Londër. Kështu brenda katër vjetësh pas kthimit të tij në besim, ai predikoi mesazhin e tij të parë si pastor në podiumin që do të mbante deri ditën kur vdiq. Ai nuk shkoi kurrë në universitet, apo seminar. Ai duhet të ketë qenë plotësisht i pjekur si pastor, predikues dhe teolog.Por e vërteta pas shërbesës së shquar të Spërxhënit është se shumë nga ndikimet që e bënë atë ai që ishte, lidhen me fëmijërinë e tij të hershme. Ato ishin ndikimet të cilat i mori nga një familje e perëndishme, nën mbikëqyrjen e prindërve dhe të gjyshërve të perëndishëm.
Marrë me lejen e Kishës së Hirit Tiranë
Grace Church, Tirana