Si ta lexosh Biblën
Predikimi nr. 1503
Charles H. Spurgeon
Në Tabernakullin Metropolitan, Njuington
A nuk keni lexuar vallë?… Apo nuk keni lexuar?…. Po të dinit se çfarë do të thotë. Mateu 12:3-7
Skribët dhe Farisenjtë ishin lexues të mëdhenj të ligjit. Ata i studionin librat e shenjtë vazhdimisht, duke u dhënë mbas çdo fjale dhe shkronje. Ata i kushtonin kujdes të madh se cili ishte vargu i mesit të Dhiatës së Vjetër, cili varg ishte në gjysmë të mesit dhe madje sa herë ishte përmendur ajo fjalë, dhe cila ishte masa e shkronjës dhe vendi i saj i veçantë. Ata na kanë lënë një masë të madhe shënimesh thjesht mbi fjalët e Shkrimit të Shenjtë. Ata mund të kishin bërë të njëjtën gjë me një libër tjetër dhe informacioni do të kishte qenë po aq i rëndësishëm sa edhe faktet që ata kanë mbledhur me aq kujdes në lidhje me studimin e fjalëve e Dhiatës së Vjetër.
Megjithatë, ata ishin lexues të mëdhenj të ligjit. Ata gjeten një sebep për tu ngatërruar me Shpëtimtarin në lidhje me një çështje që kishte të bënte me këtë ligj. Dishepujt e Zotit tonë kishin këputur ca kallinj gruri dhe po i shkundnin me duart e tyre. Sipas interpretimit të Farisenjve të fërkoje një kalli gruri ishte një farë lloj shkundjeje dhe siç ishte shumë e gabuar të shkundje ditën e Shabatit, prandaj ishte gabim i madh të fërkoje një apo dy kallinj gruri kur ishe i uritur në mëngjesin e së shtunës. Ky ishte argumenti i tyre dhe ata vajtën te Shpëtimtari me këtë lloj argumenti dhe me versionin e tyre të ligjit të së Shtunës. Shpëtimtari zakonisht e zhvillonte luftën në kampin e armikut dhe Ai e bëri këtë gjë në këtë rast. Ai foli sipas mënyrës së tyre dhe Ai u tha atyre: “A nuk e keni lexuar vallë?”, një pyetje therëse për skribët dhe Farisenjtë, megjithëse nuk ka asgjë therëse në dukje! Ishte një pyetje e drejtë dhe e duhur për t’ua bërë atyre; por vetëm mendoni që pyetja u është bërë atyre në këtë mënyrë. “A nuk e keni lexuar vallë?” “Lexuar!” ata mund të kishin thënë: “Pse, ne e kemi lexuar librin shumë herë. Ne gjithmonë e lexojmë. Asnjë pasazh nuk i shpëton syrit tonë kritik.” Megjithatë Zoti ynë ua bëri pyetjen edhe një herë tjetër: “Apo nuk e keni lexuar?” sikur në fund të fundit ata të mos ta kishin lexuar, megjithëse ata ishin lexuesit më të mëdhenj të asaj kohe. Ai la të kuptohej që ata nuk e kishin lexuar fare dhe pastaj u dha atyre për më tepër edhe arsyen pse Ai i kishte pyetur ata nëse e kishin lexuar. Ai tha: “Nëse do ta kishit ditur çfarë do të thotë kjo,” që është njësoj sikur të thuash: “Ju nuk e keni lexuar sepse nuk e keni kuptuar. Sytë tuaj kanë kaluar nëpër fjalët dhe ju i keni numëruar shkronjat dhe keni gjetur vendin e çdo vargu dhe fjale dhe ju keni thënë gjëra të mësuara mbi të gjithë librat dhe megjithatë ju nuk jeni lexues të volumit të shenjtë; sepse ju nuk keni shtirë në dorë artin e vërtetë të lexuarit; ju nuk kuptoni dhe prandaj ju nuk lexoni me të vërtetë. Ju jeni thjeshtë lexues të përciptë dhe kalimtarë të Fjalës; ju nuk e keni lexuar sepse nuk e kuptoni atë.” Kjo është e pika e parë e ligjëratës tonë.
I. Përpiqu të kuptosh atë që po lexon
Zor se është e nevojshme që të them që ne duhet të lexojmë Shkrimet. Ju e dini sa e nevojshme që është që duhet të ushqehemi në të vërtetat e Shkrimit të Shenjtë. A më duhet të bëj pyetjen nëse e lexoni Biblën apo jo? Kam frikë se kjo është një epokë në të cilën lexohet revista, një epokë që lexon gazetën, por jo aq shumë një epokë që lexon Biblën, siç duhet të jetë. Në kohët e vjetra njerëzit kishin një numër të vogël librash të tjerë, por ata gjetën një librari të mjaftueshme në një libër, Biblën! Sa pak përdoret Shkrimi në predikimet moderne në krahasim me predikimet e atyre mjeshtërve të teologjisë, teologët Puritanë. Pothuajse çdo fjali e predikimeve të tyre duket se hedh dritë mbi një tekst të Shkrimit; jo vetëm mbi atë që po predikonin, por edhe mbi shumë tekste të tjera, si edhe në shumë tekste të tjera lëshohet dritë e re ndërsa vazhdon predikimi. Do të doja nga Perëndia që ne predikuesit të rrinim më afër Librit të madh të vjetër. Ne do të ishim predikues udhëzues nëse bëjmë një gjë të tillë, madje edhe nëse jemi të paditur mbi “mendimin modern” dhe nuk po “ecim me kohën.”
Përsa u përket juve që nuk predikoni, ushqimi më i mirë për ju është vetë Fjala e Perëndisë. Predikimet dhe librat janë mjaft mirë, por rrëketë që rrjedhin në një distancë të gjatë në sipërfaqe të tokës fillojnë të mbledhin copëza nga toka ku rrjedhin dhe humbasin freskinë me të cilën dolën nga kreu i burimit. Më e mira është gjithmonë të pish nga burimi sesa nga rezervuari. Ju do të vinit re vetë nga leximi i Fjalës së Perëndisë, të lexuarit e saj në vend të leximit të shënimeve mbi të është një mënyrë më e sigurt për t’u rritur në hir. Pini nga qumështi i papërzier i Fjalës së Perëndisë dhe mos pini nga qumështi që i është hequr ajka, apo qumësht që është përzier me ujin e fjalës së njeriut.
Ajo që duam të them është që shumë nga leximi i Biblës që shohim nuk është aspak lexim i Biblës. Vargjet kalojnë para syve dhe fjalitë rrëshqasin nëpër mendje, nuk bëhet lexim i vërtetë. Një predikues i vjetër thoshte, Fjala nuk zë shumë vend në ditët e sotme, sepse hyn në njërin vesh dhe del në tjetrin; kështu duket se ndodh me disa lexues, ata mund të lexojnë shumë sepse nuk lexojnë ndonjë gjë. Sytë e tyre hedhin shikimin, por mendja nuk pushon askund. Shpirti nuk ndizet nga e vërteta e Perëndisë dhe nuk qëndron aty. Fluturon nëpër hapësirë siç bën një zog, por nuk ndërton fole dhe nuk pushon askund. Një lexim i tillë nuk është lexim. Të kuptosh çfarë lexon është thelbi i leximit të vërtetë.
Në lutje ka diçka që quhet të lutur në lutje, e lutur kjo që është zemra e lutjes. Po kështu në lavdërim është ajo që quhet të lavdëruar me këngë, një zjarr i brendshëm i përkushtimit të vazhdueshëm që është jeta e Alelujas. Po në të njëjtën mënyrë është edhe me leximin e Shkrimit. Ka një lexim të brendshëm, një lexim thelbësor, lexim i vërtetë dhe i gjallë i Fjalës. Ky është shpirti i leximit dhe nëse nuk lexohet në këtë mënyrë, leximi është ushtrim mekanik dhe pa ndonjë dobi.
Nëse nuk e kuptojmë çfarë po lexojmë nuk e kemi lexuar atë; mungon zemra e të lexuarit. Ne zakonisht i dënojmë Romanistët për mbajtjen e shërbesave të përditshme në gjuhën Latine. Megjithatë mund të ishte mjaft mirë në gjuhën Latine siç do të ishte mjaft mirë në çfarë do gjuhe tjetër nëse nuk kuptohet nga njerëzit. Disa e ngushëllojnë veten me idenë që ata kanë bërë një veprim të mirë kur kanë lexuar një kapitull të Shkrimit që nuk e kanë fare idenë se për çfarë flet. Por a nuk e hedh poshtë Natyra këtë si një besëtytni. Nëse do ta kishit kthyer librin mbrapsht dhe do të shpenzonit të njëjtën kohë duke parë shkronjat në atë drejtim, do të kishit përfituar prej tij po aq sa leximi në mënyrën e zakonshme nëse nuk kupton atë që lexon.
Nëse do të kishit një Dhiatë të Re në Greqisht do të ishte tepër Greqisht për disa prej jush, por do kishte po aq vlerë shikimi i saj sa edhe po të shikoje Dhiatën Re në Shqip nëse do ta lexoje pa e kuptuar atë që po lexon. Nuk është shkronja që shpëton shpirtin; shkronja vret në shumë kuptime dhe kurrë nuk mund të japë jetë. Nëse ngelesh vetëm me shkronjën mund të tundohesh ta përdorësh atë si një armë kundra të vërtetës siç Farisenjtë bënin në kohët e vjetra dhe njohuria jote e shkronjës mund të sjellë mburrje për shkatërrimin tënd. Është fryma, kuptimi i vërtetë i brendshëm, që thithet nga shpirti, me anë të cilit bekohemi dhe shenjtërohemi.
Ne ngihemi nga Fjala e Perëndisë si mbulesa e Gideonit, që u lag nga vesa e Qiellit dhe kjo mund të vijë vetëm nëse Fjala hyn në mendjet dhe zemrat tona, duke e pranuar atë si e vërteta e Perëndisë, dhe për aq sa ne e kuptojmë atë në mënyrë të tillë që gjejmë kënaqësi në të. Atëherë ne duhet ta kuptojmë atë ose përndryshe nuk e kemi lexuar siç duhet. Sigurisht që dobia e të lexuarit duhet të vijë te shpirti përmes të kuptuarit. Kur Kryeprifti shkonte në vendin e Shenjtë Ai gjithmonë ndizte llambën para se të ndizte temjanin në altarin e bronztë, si për të treguar që mendja duhet ndriçuar përpara se ndjenjat të nxiten siç duhet kundrejt objektit Hyjnor. Duhet të ketë njohuri të Perëndisë para se të ketë dashuri për Perëndinë, duhet të ketë njohuri të duhur të gjërave hyjnore para se të ketë shijim të tyre.
Ne duhet të përpiqemi të nxjerrim aq sa mendjet tona të fundme mund të kuptojnë atë çfarë Perëndia do të thotë me këtë dhe çfarë do të thotë Perëndia me atë. Përndryshe ne mund të puthim Librin dhe mund të mos kemi dashuri për përmbajtjen e saj, ne mund të respektojmë shkronjën dhe megjithatë të mos kemi përkushtim ndaj Zotit që na flet me këto fjalë. Asnjëherë nuk do të marrësh ngushëllim për shpirtin tënd nga ajo që nuk kupton, as nuk do të gjesh drejtim për jetën tënde nga çfarë nuk kupton, as nuk do të ketë ndonjë ndikim praktik mbi karakterin tënd nga çfarë nuk ke kuptuar.
Mendje të zgjuara
Kështu nëse duam të kuptojmë çfarë lexojmë ose përndryshe lexojmë kot, kjo na tregon që kur vijmë te studimi i Shkrimit të Shenjtë duhet të përpiqemi t’i kemi mendjet të zgjuara. Më duket mua se jo gjithmonë jemi në gjendje të përshtatshme për të lexuar Biblën. Në disa raste do të ishte mirë për ne të ndalonim para se ta hapnim Biblën. “Hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë” Ti sapo je kthyer nga puna. Mendjen e ke pasur të përqendruar te punë, si dhe ke qenë i preokupuar me të, kështu që nuk mund të kthehesh menjëherë në shtëpi, të hapësh atë Libër dhe t’u futesh mistereve qiellore. Siç e ke zakon të kërkosh bekim për ushqimin që do të hash, po kështu do të ishte një rregull i mirë për ty të kërkosh një bekim mbi Fjalën para të hash nga ushqimi i saj qiellor. Lutu Zotit të të forcojë sytë përpara se të shikosh dritën e përjetshme të Shkrimit.
Leximi i Shkrimit është ushqimi ynë shpirtëror. Bjeri gongut dhe thirr çdo shqisë te tavolina e Zotit të festojnë në ushqimin e çmuar që je gati të hash; apo për më tepër bjeri kambanës së kishës si për adhurim sepse studimi i Shkrimit të Shenjtë duhet të jetë një detyrë e shenjtë siç adhurojmë në shtëpinë e Zotit.
Meditim mbi Fjalën
Nëse është kështu, do të shikoni menjëherë që nëse doni të kuptoni çfarë lexoni, do ju duhet të meditoni mbi atë që lexoni. Disa pasazhe të Shkrimit janë të qarta për ne, janë cekëtina të bekuara ku qengjat mund të ecin; por ka thellësi në të cilat mendja jonë do të donte më mirë të mbytej sesa të notonte me kënaqësi, nëse do të vinte aty pa treguar kujdes. Ka tekste të Shkrimit të Shenjtë që janë bërë dhe ndërtuar me qëllim që të na bëjnë të mendojmë. Përmes këtyre mjeteve, bashkë me të tjerat, Ati ynë Qiellor do të në edukojë për qiellin, duke na bërë të mendojmë për rrugën tonë për te misteret hyjnore. Këtu Ai e vendos Fjalën në një formë të ngatërruar që të na detyrojë neve të meditojmë mbi të para se të shijojmë ëmbëlsinë e saj. Ai mund të na e kishte shpjeguar në mënyrë të tillë që ta kapim kuptimin për një minutë, por Atij nuk i pëlqen ta bëjë një gjë të tillë në çdo rast. Shumë nga vellot që janë hedhur mbi Shkrimin nuk janë hedhur me qëllim që të fshehin kuptimin nga i zellshmi, por të shtyjë mendjen të jetë aktive, sepse shpesh zellshmëria e zemrës duke kërkuar të njohë mendjen hyjnore i bën më mirë zemrës sesa vetë njohuria. Meditimi dhe të menduarit e kujdesshëm na ushtron dhe forcon shpirtin për pranimin e të vërtetave akoma më mëdha.
Ne duhet të meditojmë vëllezër e motra. Këto vila rrushi nuk do të prodhojnë verë derisa t’i kemi shtypur. Këto ullinj duhet të vendosen në rrotë dhe të shtypen vazhdimisht, që të rrjedhë vaji. Në një enë me arra, ju e dini se cila është e krimbur sepse ka një vrimë të vogël që insekti e ka shpuar, vetëm një vrimë e vogël dhe pastaj brenda është krimbi i gjallë që po han të përbrendshmen. Është një gjë e madhe të depërtosh guaskën e shkronjës dhe pastaj të jetosh brenda duke u ushqyer nga e brendshmja. Sa do doja të isha një krimb i tillë i vogël si ai, duke jetuar brenda dhe nga Fjala e Perëndisë, pasi të kem depërtuar në guaskë dhe pasi të kem arritur në misterin e brendshëm të ungjillit të bekuar. Fjala e Perëndisë është gjithmonë gjëja më e çmuar për njeriun që jeton më shumë sipas saj. Ndërsa isha ulur nën një pemë të madhe ahu duke admiruar bukurinë e tij të rrallë, mendova me veten time që unë nuk mendoj për pemën as sa gjysma e qukapikut. E shikoj atë ndërsa hidhet nga një degë në një tjetër dhe ndjehem i sigurt që ai e vlerëson shumë pemën e vjetër të ahut sepse ai e ka shtëpinë e tij diku brenda në një fole, këto degë janë streha e tij dhe këto lendet e ahut janë ushqimi i tij. Ai jeton nga pema. Është bota e tij, vendi i lojës, hambari i tij, shtëpia e tij, me të vërtetë është gjithçka për të dhe nuk është kështu për mua sepse unë gjej pushim dhe ushqim diku tjetër. Me Fjalën e Perëndisë është mirë për ne të jemi si qukapiku duke jetuar në të dhe nga ajo. Le të ushtrojmë mendjet tona duke kërcyer nga një degë në një degë tjetër të saj, të gjejmë pushim dhe ushqim në të dhe ta bëjmë gjithçkanë tonë në çdo gjë. Ne do të jemi njerëz që do të përfitojnë prej saj nëse e bëjmë atë ushqimin, ilaçin, thesarin, armaturën, pushimin, kënaqësinë tonë. Na drejtoftë Fryma e Shenjtë të bëjmë këtë gjë dhe ta bëjë Fjalën të çmuar për ne.
Lutju Autorit të saj
Gjëja tjetër që do t’u kujtoj është që për këtë qëllim do të jemi të detyruar të lutemi. Është gjë e madhe të shtyhesh të mendosh, është një gjë më e madhe të shtyhesh të lutesh pasi je shtyrë të mendosh. A nuk po u flas disave prej jush që nuk e lexojnë Fjalën e Perëndisë dhe a nuk u flas shumë të tjerëve që e lexojnë, por që nuk e lexojnë atë me vendosmëri të madhe për ta kuptuar atë? E di që duhet të jetë kështu. A dëshironi që të filloni që të jeni lexues të vërtetë? Atëherë duhet të uleni në gjunjë. Duhet t’i kërkoni Perëndisë t’ju drejtojë. Kush e kupton një libër më mirë? Autori i tij.
Nëse dua të nxjerr kuptimin e vërtetë të një teksti të ngatërruar dhe autori jeton afër meje dhe mund ta thërras, i bie ziles së derës së tij dhe i them: “A do të mundesh të më tregosh çfarë do të thuash me atë fjali? Nuk kam dyshim që çfarë do qoftë është e qartë, por jam aq i trashë, që nuk ia nxjerr dot kuptimin. Nuk kam njohuri dhe nuk e kap idenë e subjektit që ti e zotëron dhe prandaj aluzionet dhe përshkrimet e tua janë përtej njohurisë time. Është brenda kapacitetit tënd dhe është e zakonshme për ty, por është shumë e vështirë për mua. A do të mundesh të më shpjegosh kuptimin?” Një njeri i mirë do të ishte i lumtur të trajtohej në këtë mënyrë dhe nuk do bezdisej t’i zbulonte kuptimin një kërkuesi të sinqertë. Kështu që në këtë mënyrë do të jetë e sigurt që do të nxjerr kuptimin e duhur sepse po shkoj te kreu i burimit, kur konsultohem me vetë autorin.
Kështu, Fryma e Shenjtë është me ne dhe kur marrim Librin e Tij dhe fillojmë ta lexojmë dhe duam të dimë çfarë do të thotë, ne duhet t’i kërkojmë Frymës së Shenjtë të na zbulojë kuptimin. Ai nuk do të bëjë ndonjë mrekulli, por Ai do të lartësojë mendjet tona dhe Ai do të na sugjerojë mendime që do të na çojnë te lidhja e tyre e natyrshme me njëri-tjetrin derisa të arrijmë te palca dhe dhjami i udhëzimit të Tij hyjnor. Kështu që kërkoni me zell udhëheqjen e Frymës së Shenjtë sepse nëse shpirti i leximit është të kuptojmë atë që lexojmë, atëherë me lutje duhet t’i lutemi Frymës së Shenjtë të hapë sekretin e misterit të Fjalës së frymëzuar.
Shfrytëzimi i mjeteve dhe i ndihmës
Kështu pra nëse kërkojmë udhëheqjen dhe mësimin e Frymës së Shenjtë, më pas del që jemi gati të shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe ndihmën e duhur përkundrejt të kuptuarit të Shkrimeve. Kur Filipi e pyeti Etiopasin nëse ai kuptonte profecinë e Isaisë ai u përgjigj: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?”(Veprat 8:31). Pastaj Filipi vajti te ai dhe i shpjegoi Fjalën e Perëndisë.
Disa nën pretendimin se duhet të mësohen nga Fryma e Shenjtë refuzojnë të udhëzohen nga librat apo nga njerëz të gjallë. Kjo nuk e nderon Frymën e Shenjtë. Kjo është mosrespekt ndaj Tij sepse nëse Ai u jep disave prej shërbëtorëve të Tij më shumë dritë sesa të tjerëve dhe është e qartë që Ai e bën një gjë të tillë, atëherë ata janë të detyruar tua japin këtë dritë të tjerëve dhe ta përdorin për të mirën e kishës. Por nëse pjesa tjetër e kishës refuzon ta pranojë atë dritë për ç’qëllim e dha Fryma e Perëndisë atë dritë? Kjo do të thotë që ka një gabim diku në shpërndarjen e dhuntive dhe të hireve, që administrohet nga Fryma e Shenjtë. Nuk mund të jetë kështu. Zotit Jezu Krisht i pëlqen t’i japë më shumë njohuri të Fjalës së Tij dhe më shumë të kuptuar të saj disa prej shërbëtorëve të Tij sesa të tjerëve dhe është detyra jonë ta pranojmë me gëzim njohurinë që Ai jep në ato mënyra që Ai zgjedh ta japë atë.
Do të ishte ligësi e madhe nga ana jonë të themi: “Nuk do ta pranoj thesarin qiellor që gjendet në enë tokësore.” Do ta pranojmë thesarin qiellor vetëm nëse do të na vijë nga dora e Tij, por jo nga enët tokësore. Ne mendojmë që jemi tepër të ditur, tepër qiellorë, tepër frymërorë t’u kushtojmë rëndësi gurëve të çmuar që janë të vendosur në enë tokësore. Nuk begenisim të dëgjojmë askënd dhe nuk duam të lexojmë ndonjë gjë tjetër përveç vetë Librit, as nuk duam të pranojmë ndonjë dritë tjetër përveç asaj që vjen përmes një të çare të çatisë tonë. Jemi të vendosur që të mos shohim përmes qiriut të një tjetri. Vëllezër le të mos biem në një marrëzi të tillë. Le të vijë drita nga Perëndia dhe megjithëse e sjell një fëmijë, ne duhet ta pranojmë me gëzim. Nëse ndonjë nga shërbëtorët e Tij qoftë ky edhe Pali apo Apollos apo Kefa do ta kishte marrë dritën nga Ai, shikoni: “të gjitha gjërat janë tuajat dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë” dhe prandaj pranojeni dritën që Perëndia ka ndezur dhe kërko hir që ju mund ta ktheni atë dritë mbi Fjalën kështu që ju kur ta lexoni mund ta kuptoni atë.
Nuk dua të them më shumë në lidhje me këtë, por dua që t’ua fus këtë të vërtetë në kokë disave prej jush. E di që ju keni Bibla në shtëpi; ju nuk doni të jeni pa Bibla, ju do ta konsideronit veten si paganë nëse nuk do kishit Bibla! Ato i mbani shumë mirë dhe janë shumë të bukura: Nuk janë shumë të prekura, jo shumë të grisura dhe nuk besoj se do të ndryshojnë sepse dalin për një xhiro të dielën për të marrë ajër të pastër dhe pastaj rrinë gjatë tërë javës në tavolinë apo në raft me sendet e tjera. Ju nuk e lexoni Fjalën, ju nuk e hetoni atë dhe si mund të prisni të merrni bekimin hyjnor? Nëse nuk shikon ndonjë vlerë të gërmosh për arin qiellor, ka shumë mundësi që nuk do ta gjesh!. Herë pas here u kam thënë që hetimi i Shkrimeve nuk është rruga e shpëtimit. Zoti ka dhënë: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh.” Por megjithatë të lexuarit e Fjalës shpesh çon, ashtu si të dëgjuarit e saj te besimi dhe besimi sjell shpëtimin; sepse besimi vjen nga të dëgjuarit dhe të lexuarit është një formë të dëgjuari. Ndërkohë që ju po kërkoni të dini çfarë është ungjilli, mund t’i pëlqejë Perëndisë të bekojë shpirtrat tuaj.
Por çfarë leximi të mjerë që i bëjnë disa prej jush Biblës. Nuk dua të them diçka tepër të ashpër sepse mund të mos jetë fjalë për fjalë e vërtetë, por le të flasin ndërgjegjet tuaja, por megjithatë do të bëj një pyetje të guximshme: A nuk e lexojnë Biblën shumë prej jush me nxitim, vetëm pak dhe pastaj ikni? A nuk harron shpejt çfarë ke lexuar dhe a nuk të humbet ndikimi i vogël që duket se mund të ketë patur? Sa pak prej jush janë të vendosur të futeni në shpirtin e saj, lëngun e saj, jetën e saj, thelbin e saj dhe të pini nga kuptimi i saj. Nëse nuk e bëni këtë, po iu them të lexuarit që bëni është lexim i mjerë, lexim i vdekur, lexim i padobishëm, nuk është aspak lexim, emri nuk do t’i shkonte. E dhëntë Fryma që të pendoheni në këtë pikë.
II. Nxirri kuptimin frymëror
Mendoj që është në tekstin tim, sepse Zoti ynë thotë: “A nuk keni lexuar vallë?” Pastaj përsëri: “A nuk keni lexuar vallë” dhe pastaj Ai thotë: “po të dinit se çfarë do të thotë” dhe kuptimi është diçka shumë frymërore. Teksti që Ai citoi ishte: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime” një tekst nga profeti Osea. Skribët dhe Farisenjtë ishin të gjithë për shkronjën (që do të thotë ishin shumë të interesuar thjesht të dinin se çfarë thotë), flijimin, therjen e viçave dhe kështu me radhë. Ata lanë pas dore kuptimin frymëror të pasazhit: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime,” domethënë që Perëndia preferon që më mirë të kujdesemi për njerëzit sesa të vëzhgojmë ndonjë nga ligjet e Tij ceremoniale aq sa t’i shkaktojmë uri ose etje dhe si rrjedhim vdekjen ndonjë prej krijesave që ka bërë dora e Tij. Ata duhet të kishin depërtuar nga e jashtmja në të brendshmen dhe i gjithë leximi duhet të bërë në të njëjtën mënyrë.
Vini re që kështu duhet të jetë kur lexojmë pasazhet historike. “A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?” Kjo ishte një pjesë nga historia dhe ata duhet ta kishin lexuar atë për të gjetur udhëzimin frymëror në të. Kam dëgjuar njerëz tepër të marrë që thonë: “Nuk e çaj kokën të lexoj pjesët historike të Shkrimit.” Miq të dashur ju nuk e keni fare idenë se çfarë po thoni kur thoni një gjë të tillë! Po jua them nga përvoja ime që kam gjetur thellësi më të madhe frymërore te historitë sesa te Psalmet. Po ju them që kur të arrini te kuptimi i brendshëm dhe frymëror i një historie shpesh do të habiteni me qartësinë, forcën realiste me të cilën vjen mësimi në shpirtin tënd.
Disa nga misteret më të mrekullueshme të zbulesës kuptohen më mirë duke u paraqitur në formë historie sesa kur paraqiten me deklarime gojore. Kur kemi një thënie që shpjegon ilustrimin, ilustrimi zgjeron dhe vërteton thënien! Për shembull kur Zoti ynë do të na shpjegojë se çfarë është besimi. Ai na dërgon te historia e gjarprit të bronztë. Kush e ka lexuar ndonjëherë ndokush historinë e gjarprit të bronztë pa ndjerë që ka krijuar te ai një ide më të mirë mbi besimin përmes tablosë së njeriut që po vdes nga pickimi i gjarprit, i cili shikon gjarprin e bronztë dhe jeton, sesa nga ndonjë nga përshkrimet që madje Pali na ka dhënë siç e përkufizon dhe përshkruan ai në mënyrë të mrekullueshme? Asnjëherë mos i nënvleftëso pjesët historike të Fjalës së Perëndisë, por kur përfitoni ndonjë gjë prej tyre thoni: “E ka fajin koka ime e trashë dhe zemra ime e ngadaltë. O Zot të lutem hape mendjen time dhe pastroje shpirtin tim.” Kur Ai t’i përgjigjet asaj lutjeje ju do të ndjeni që çdo pjesë e Fjalës së Perëndisë është frymëzuar nga Perëndia dhe është dhe duhet të jetë e dobishme për ju. Thirr: “Hapi sytë e mi që mund të shikoj gjërat e mrekullueshme të ligjit tënd.”
Tamam e njëjta gjë është e vërtetë në lidhje me të gjitha statutet ceremoniale sepse Shpëtimtari ynë vazhdon të thotë: “Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?” Nuk ka edhe një statut të vetëm në ligjin e vjetër që nuk ka kuptim të brendshëm: prandaj mos hiq dorë nga libri i Levitikut, apo të thuash: “Nuk i lexoj këto kapituj në librin e Eksodit dhe Numrave. Ata të gjithë flasin për fiset dhe standardet e tyre, ndalesat në shkretëtirë dhe ndalesat e marshimeve, tabernakullin dhe pajisjet apo për enët dhe legenët e artë, dhe tryeza e altarë, gurë të çmuar, dhe copa blu, të ndezura dhe të linjta.” Jo, por shiko për kuptimin e brendshëm. Kërko mirë, sepse ashtu si me thesarin e mbretit, ai gur që është mbyllur më mirë dhe më i vështirë për t’u arritur, është guri më i çmuar i thesareve, po kështu është me Shkrimin e Shenjtë.
A keni qenë ndonjëherë te Libraria e Muzeut Anglez? Ka shumë libra reference që lexuesi mund t’i nxjerrë kur të dojë. Ka libra të tjerë për të cilat duhet të kesh kartelë dhe pa kartelë nuk mund t’i marrësh. Por ata kanë edhe libra të caktuar që nuk i sheh dot pa porosi të veçantë dhe pastaj ka hapje dyersh dhe hapje kutish dhe pastaj është dikush me ty gjatë të gjithë kohës ndërsa t’i shikon librin. Tepër rrallë lejohet tu hedhësh sytë dorëshkrimeve nga frika se mos fshish ndonjë shkronjë ndërsa e shikon; është një thesar i çmuar; nuk ka një kopje të tillë në të gjithë botën dhe kështu nuk mund ta marrësh kollaj. Tamam kështu ka doktrina të zgjedhura dhe të çmuara të Fjalës së Perëndisë që janë të mbyllura në kuti të tilla si të Levitiku apo Kantiku i Kantikëve dhe nuk mund të shkosh te ata pa hapur disa dyer dhe Fryma e Shenjtë duhet të jetë me ty ose përndryshe kurrë nuk do të jesh në gjendje të arrish te thesari i çmuar. Të vërtetat e larta janë si gjëra të çmuara të fshehura, si objektet e çmuara të princave; prandaj heto si dhe lexo. Mos hiq dorë nga një statut ceremonial derisa t’i nxjerrësh kuptimin frymëror sepse ky është leximi i vërtetë. Ti nuk e ke lexuar derisa të kuptosh frymën e çështjes.
Është e njëjta gjë me thëniet doktrinale të Fjalës së Perëndisë. Kam parë me keqardhje disa persona të cilët janë tepër ortodoksë dhe mund ta përsërisin besimin e tyre rrjedhshëm dhe megjithatë mënyra se si e përdorin ortodoksinë e tyre është duke u ulur dhe duke parë predikuesin me syrin për të formuar akuza kundra tij. Ai ka nxjerrë nga goja e tij një fjali të vetme dhe është gjykuar se është sa gjysma e flokut nën nivelin e duhur. “Ai nuk flet në mënyrë të shëndoshë. Ai tha disa gjëra të mira, por jam i sigurt që ai është i kalbur në thelb.” Gjashtëmbëdhjetë karat nuk është mjaftueshëm për këta vëllezër të dashur që po flas, ata duan diçka më shumë dhe mbi dhe përtej masës së shenjtores. Nuk hezitoj të them që kam hasur persona që:
“mund të ndajnë një flok
midis perëndimit dhe veri-perëndimit”
në çështjet e doktrinave, por që nuk dinë asgjë në lidhje me gjërat e Perëndisë në kuptimin e tyre të vërtetë. Ai kurrë nuk i ka pirë në shpirtin e tij, por vetëm i kanë futur në gojë për t’ua pështyrë të tjerëve. Doktrina e zgjedhjes është një gjë në vetvete, por të dish që Perëndia të ka paracaktuar ty dhe ta kesh këtë fryt në veprat e mira për të cilat je krijuar është një gjë krejt tjetër. Të flasësh për dashurinë e Krishtit, të flasësh për parajsën që është siguruar për njerëzit e Tij dhe gjëra të tilla, të gjitha janë një gjë shumë e mirë; por kjo mund të bëhet pa patur ndonjë njohje personale me to. Prandaj kurrë mos u kënaq thjesht të kesh doktrinën e shëndoshë, por dëshiro ta kesh të gdhendur në pllakat e zemrës tënde. Doktrinat e hirit janë të mira, por hiret e doktrinave janë akoma më mirë. Shiko ta kesh atë dhe mos u kënaq me idenë që ke fituar njohuri derisa ta kuptosh doktrinën në atë mënyrë që të ndjesh fuqinë e saj frymërore.
Kjo na bën që të mendojmë që në mënyrë që të arrijmë këtë kemi nevojë të ndjejmë Jezusin të pranishëm me ne kurdoherë që lexojmë Fjalën. Kushtojini kujdes vargjeve 5 dhe 6 te Mateu 12 që do t’i sjell para jush: “Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.” Ata i kushtonin shumë rëndësi shkronjës së Fjalës, por ata nuk e dinin që Ai që ishte atje është Zotëria i së Shtunës, Zoti i njeriut, Zoti i së Shtunës dhe Zoti i çdo gjëje. Kur keni kapur një doktrinë apo një urdhërim, apo çfarë do lloj gjëje që shfaqet me shkronja, lutuni Zotit t’ju bëjë të ndjeni që ka diçka më të madhe sesa libri i shtypur dhe diçka më të mirë sesa thjesht guaska e doktrinës. Ka një Person që është më i madh sesa ata të gjitha dhe Atij duhet t’i thërrasim që Ai të jetë gjithmonë me ne. O Krisht i gjallë, bëjë këtë fjalë të gjallë për mua. Fjala jote është jetë, por jo pa Frymën e Shenjtë. Unë mund ta di Librin Tënd nga fillimi në fund dhe mund ta përsëris atë të gjithin nga Zanafilla te Zbulesa dhe megjithatë mund të jetë një libër i vdekur dhe unë mund të jem një shpirt i vdekur. Por Zot bëhu i pranishëm këtu; pastaj do të shikoj lart nga Libri te Zoti; nga urdhërimi te Ai që e përmbushi atë; nga Ligji te Ai që e nderoi atë; nga kërcënimi te Ai që e mori mbi veten e tij për mua dhe nga premtimi te Ai në të cilin është “Po dhe amen.” Pastaj ne do ta lexojmë Librin aq ndryshe. Ai është këtu me mua në dhomën time: Nuk duhet të luaj. Ai afrohet afër meje, Ai vendos gishtin e Tij përgjatë rreshtave, unë mund të shikoj dorën e Tij të shpuar: Do ta lexoj sikur të jem në praninë e Tij. Do ta lexoj duke e ditur që Ai është substanca e tij, që Ai është vërtetësia e këtij Libri po ashtu si dhe shkruesi i këtij Libri; thelbi dhe shuma i këtij Libri si dhe autori i tij. Kjo është mënyra e vërtetë që studentët e vërtetë bëhen të mençur. Do të depërtoni te shpirti i Shkrimit kur ju mund të mbani Jezusin me ju ndërsa po e lexoni.
A nuk keni dëgjuar kurrë një predikim në të cilin u ndjetë që nëse Jezusi do të kishte ardhur në atë podium ndërsa njeriu po mbante ligjëratën e tij, Ai do të kishte thënë: “Ulu, ulu, ç’punë ke ti këtu? Të dërgova të predikoje për Mua dhe ti predikon një sërë gjërash të tjera. Shko në shtëpi dhe mëso për Mua dhe pastaj eja dhe fol.” Ai predikim që nuk drejton te Krishti apo te i cili Jezu Krishti nuk është maja dhe fundi, është një lloj predikimi që do t’i bëjë djajtë të qeshin në ferr, por mund të bëjë engjëjt e Perëndisë të qajnë nëse do të ishin në gjendje të përjetonin një emocion të tillë.
E keni dëgjuar historinë e një njeriu nga Uellsi i cili dëgjoi një djalosh të ri të predikonte një predikim të shkëlqyeshëm – një predikim të madh, një predikim të lartë, një predikim mjaft të gjerë dhe kur kishte përfunduar, ai e pyeti burrin nga Uellsi çfarë mendonte për të. Njeriu iu përgjigj që nuk mendonte ndonjë gjë për të. “Dhe pse jo?” “Sepse nuk kishte Jezu Krishtin në të.” Ai tha: “Po teksti im nuk duket se shkonte në atë drejtim.” Njeriu nga Uellsi tha: “Mos ki merak, predikimi duhet të shkojë në atë drejtim.” Djaloshi i ri tha: “Nuk e shoh një gjë të tillë.” Tjetri i tha: “Jo, ti nuk di akoma të predikosh. Kjo është mënyra për të predikuar. Nga çdo fshat i vogël në Angli, nuk ka rëndësi ku është, është e sigurt që ka një rrugë për në Londër. Megjithëse mund të mos ketë rrugë për në vende të tjera të caktuara, është e sigurt që ka një rrugë për në Londër. Tani nga çdo tekst në Bibël ka një rrugë për te Jezu Krishti dhe mënyra për të predikuar është thjesht të thuash: ‘Si mund ta çoj këtë tekst te Jezu Krishti?’ pastaj vazhdo të predikosh përgjatë asaj rruge.” Djaloshi tha: “Po sikur të gjej një tekst që nuk ka një rrugë për te Jezu Krishti?” Burri i moshuar i tha: “Kam predikuar për dyzet vjet dhe kurrë nuk kam gjetur një pjesë të tillë të Shkrimit, por nëse do të gjej ndonjëherë ndonjë do të kapërcej gardhe dhe gropa, veçse të dal te Ai sepse kurrë nuk do ta përfundoj pa futur në të Zotërinë tim.”
Mbase ju po mendoni se kam kapërcyer pak mbi gardhe dhe gropa, por jam i bindur që nuk e kam bërë këtë sepse në këtë pikë vjen vargu 6 i Mateut 12 dhe e sjell Zotin tonë në ëmbëlsinë më të madhe, duke e vendosur Atë përballë jush, që jeni lexues të Biblës, kështu që nuk duhet të mendoni ta lexoni pa ndjerë që Ai është atje, i cili është Zoti dhe Mjeshtër i çdo gjëje që po lexon dhe çfarë do t’i bënte këto gjëra të çmuara për ty pa kuptuar që Ai është në të. Nëse nuk gjen Jezusin te Shkrimet, ato do të jenë një shërbim i vogël për ty, sepse çfarë tha vetë Zoti ynë? “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për Mua. Por ju nuk doni të vini tek Unë që të keni jetën.” Prandaj kërkimi juaj nuk do të vlente për asgjë; ju nuk gjeni jetë dhe mbeteni të vdekur në mëkatet tuaja. Mos ndodhtë kështu me ne!
III. Një lexim i tillë është i dobishëm
Së fundi, një lexim i tillë i Shkrimeve, që nënkupton të kuptuarit dhe depërtimin në kuptimin e tyre frymëror dhe zbulimin e Personit Hyjnor i cili është kuptimi frymëror, është lexim i dobishëm, sepse këtu Zoti ynë thotë: “Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime”, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.” Do të na shpëtojë nga shumë gabime të mëdha nëse kuptojmë Fjalën e Perëndisë dhe mes shumë gjërave të tjera të mira nuk do të dënojmë të pafajshmit.
Nuk kam kohë që të zgjerohem mbi këto dobi, por do ta them duke përmbledhur, që leximi i zellshëm i Fjalës së Perëndisë me një vendim të fortë për ta kuptuar shpesh sjell jetë frymërore. Ne jemi lindur përmes Fjalës së Perëndisë; Fjala është mjet instrumental i rilindjes. Prandaj dojeni Biblën tuaj. Rrini afër Biblës tuaj. Ju që po kërkoni Zotin, puna juaj e parë është të besoni në Zotin Jezu Krisht, por ndërkohë që jeni akoma në errësirë duani Biblat tuaja dhe i hetoni ato” Merreni me vete te krevati dhe kur të zgjoheni në mëngjes nëse është tepër herët për të zbritur poshtë dhe për të shqetësuar të tjerët në shtëpi, shpenzo një gjysmë ore duke lexuar në dhomën tënde lart. Thuaj: “Zot më drejto te teksti që do të më bekojë. Ndihmo një mëkatar të mjerë si unë që të mund të pajtohet me ty.” Më kujtohet se si kur po kërkoja Zotin, vajta te Bibla ime dhe te librat Thirrje të pashpëtuarve i Baksterit (Baxter) dhe te Alarmi i Alljenit (Alleine) dhe te Ngritja dhe Progresi i Dodrigit (Doddriget) sepse thashë me vete: “Kam frikë se do të humbas, por të paktën do të mësoj arsyen pse. Kam frikë se kurrë nuk do ta gjej Krishtin, por nuk do të ndodhë që nuk po e kërkoja Atë.” Ajo frikë më ndiqte, por thashë: “Do ta gjej Atë nëse Ai duhet gjetur. Do të lexoj. Do të mendoj.” Kurrë nuk ka patur ndonjë shpirt që ka kërkuar sinqerisht për Jezusin në Fjalën e Tij, që është penguar në të vërtetën e çmuar se Krishti ishte aty afër dhe që nuk kishte nevojë të kërkonte më; se Ai ishte me të vërtetë aty, vetëm që krijesat e marra të verbëta ishin aq të ngatërruara saqë nuk mund ta shikonin dot Atë.
Varu te Shkrimet. Shkrimet nuk janë Krishti, por është çelësi që do të drejtojë te Ai. Ndiqi drejtimet e Shkrimeve me besnikëri. Kur të keni rilindur dhe të keni marrë një jetë të re, vazhdoni të lexoni, sepse do të të ngushëllojnë. Do të shikoni më shumë çfarë ka bërë Zoti për ty. Do të mësosh që je shpenguar, birësuar, shpëtuar, shenjtëruar. Gjysma e gabimeve në botë vijnë nga njerëzit që nuk lexojnë Biblën. A do të mendonte ndonjë që Zoti mund të lërë ndonjë nga fëmijët e Tij të dashur të humbasë, nëse ai do të kishte lexuar një tekst të tillë si ky: “Unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.”? Kur unë e lexoj atë, jam i sigurt për këmbënguljen përfundimtare të shenjtorëve. Atëherë lexoje Fjalën dhe do të jetë një ngushëllim i madh për ty.
Do të jetë gjithashtu ushqimi yt. Është ushqimi si dhe gjithashtu jeta jote. Hetoje Shkrimin dhe do të forcohesh në Zotin dhe forcën e fuqisë së Tij. Do të jetë gjithashtu udhëheqja jote. Jam i sigurt që ata që janë sa më afër librit bëhen më të pasurit. Shpesh kur nuk do të dish çfarë të bësh, do të shikoni një tekst të kërcejë nga Libri, duke të thënë: “Më ndiq.” Nganjëherë kam parë premtimin të shndrisë po ashtu si një llambë që ndriçon në një ndërtesë publike. Një prekje nga Fryma e Shenjtë dhe një fjali bëhet e shndritshme. Kam parë një tekst të Shkrimit të shpërthejë si flakë në atë lloj mënyre në shpirtin tim dhe e kam ditur që ishte Fjala e Perëndisë për mua dhe kam vazhduar rrugën me gëzim.
Do të marrësh njëmijë ndihma nga ai Libër i mrekullueshëm nëse vetëm e lexon atë; sepse duke kuptuar më shumë fjalët do ta çmosh më shumë dhe ndërsa rritesh bëhesh më i moshuar, Libri do të rritet me rritjen tënde dhe do të dalë që është një manual devocioni me mjekër të bardhë, tamam siç ishte një libër i bukur historie për një fëmijë. Po gjithmonë do të jetë një libër i ri, tamam si një Bibël e re, sikur të kishte dalë dje dhe sikur askush të mos kishte parë asnjë fjalë të saj deri në atë moment dhe megjithatë do të jetë akoma më i çmuar prej kujtimeve që do të shpërthejnë rreth tij.
Ndërsa hapim fletët e saj, sa me ëmbëlsi mbajmë mend pasazhet e historisë tonë që kurrë nuk do të harrohen gjatë gjithë përjetësisë, por do të qëndrojnë së bashku me premtimet e hirshme. Të dashur, na mësoftë Zoti të lexojmë Librin e Tij të jetës që Ai ka hapur para nesh këtu poshtë, kështu që mund të lexojmë emrat tonë qartë në atë Librin tjetër të dashurisë të cilin nuk e kemi parë akoma, por që do të hapet në Ditën e Madhe të Fundit. Zoti qoftë me ju dhe ju bekoftë. Amen.
Marrë me lejen e Kishës së Hirit,
Grace Church, Tirana