TË VËRTETA THELBËSORE
82 TË VËRTETA THELBËSORE NGA CHARLES SPURGEON
(KATEKIZËM)
1. Cili është qëllimi kryesor i njeriut?
Qëllimi kryesor i njeriut është të lavdërojë Perëndinë (1Korintasve10:31) dhe të gëzojë shoqërinë me Të përgjithmonë (Psalmi 73:25, 26).
2. Çfarë rregulli na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar se si ta lavdërojmë Atë?
Fjala e Perëndisë që përmban Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re (Efesianëve 2:20, 2Timoteut 3:16), është i vetmi rregull për të na drejtuar ta lavdërojmë Perëndinë dhe të gëzojmë shoqërinë me Të (1 Gjonit 1:3).
3. Çfarë mësojnë kryesisht Shkrimet?
Shkrimet kryesisht mësojnë se çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë dhe çfarë kërkon Perëndia nga njeriu (2Timoteut 1:13, Predikuesi 12:13).
4. Çfarë është Perëndia?
A. Perëndia është Frymë (Gjoni 4:24), i pafund (Jobi 11:7), i përjetshëm (Psalmi 90:2, 1Timoteut 1:17) dhe i pandryshueshëm (Jakobi 1:17) në:
1. Qenien e Tij (Eksodi 3:14)
2. Mençuri, fuqi (Psalmi 147:5)
3. Shenjtëri (Zbulesa 4:8)
4. Drejtësi, mirësi dhe të vërtetë (Eksodi 34:6.7).
5. A ka më shumë se një Perëndi?
Ka vetëm një Perëndi, (Ligji përtërirë 6:4) Perëndia i gjallë dhe i vërtetë (Jeremia 10:10).
6. Nga sa persona përbëhet Hyjnia?
Hyjnia përbëhet nga tre persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë dhe këta të tre janë një Perëndi, të njëjtë në esencë, të barabartë në fuqi dhe lavdi (1 Gjonit 5:7, Mateu 28:19).
7. Çfarë janë dekretet e Perëndisë?
Dekretet e Perëndisë janë qëllimi i Tij i përjetshëm sipas këshillës së vullnetit të Tij, me anë të të cilit, për lavdinë e Tij, ka paracaktuar çfarëdo që ndodh (Efesianëve 1:11,12).
8. Si i vë në veprim Perëndia dekretet e Tij?
Perëndia i vë në veprim dekretet e Tij në veprat e Krijimit (Zbulesa 4:11) dhe të providencës së Tij (Danieli 4:35).
9. Çfarë është vepra e Krijimit?
Vepra e krijimit është që Perëndia ka bërë gjithçka (Zanafilla 1:1) nga asgjëja, me Fjalën e fuqisë së Tij, (Hebrenjve 11:3) në gjashtë ditë normale të njëpasnjëshme, (Eksodi 1:31) dhe gjithçka e ka bërë shumë mirë (Zanafilla 1:31).
10. Si e krijoi Perëndia njeriun?
Perëndia e krijoi njeriun burrë dhe grua, sipas shëmbëlltyrës së Tij (Zanafilla 1:27), në njohuri, drejtësi dhe shenjtëri (Kolosianëve 3:10, Efesianëve 4:24), me fuqinë për të sunduar mbi krijesat (Zanafilla 1:28).
11. Çfarë janë veprat e providencës së Perëndisë?
Veprat e providencës janë ruajtja dhe sundimi me shenjtëri (Psalmi 145:17), me mençuri (Isaia 28:29) dhe me fuqi të madhe mbi të gjitha krijesat dhe mbi të gjitha veprimet e tyre (Ps.103:19, Mateu 10:29).
12. Çfarë akti të veçantë providence ushtroi Perëndia kundrejt njeriut në gjendjen në të cilën ai u krijua?
Kur Perëndia e krijoi njeriun, Ai hyri në një besëlidhje jete me të, me kusht që ai t’i bindej përsosmërisht (Galatasve 3:12), duke e ndaluar të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, përndryshe do të vdiste (Zanafilla 2:17).
13. A vazhduan prindërit tanë të parë në gjendjen në të cilën u krijuan?
Prindërit tanë të parë, të lënë të lirë në vullnetin e tyre, ranë nga gjendja në të cilën u krijuan duke mëkatuar kundër Perëndisë, (Predikuesi 7:29) duke ngrënë nga fruti i ndaluar (Zanafilla 3:6-8).
14. Çfarë është mëkati?
Mëkati është çfarëdolloj mospërputhje ose shkelje e ligjit të Perëndisë (1Gjonit 3:4).
15. A ra tërë njerëzimi në mëkatin e parë të Adamit?
Meqenëse besëlidhja e bërë me Adamin ishte jo vetëm për atë vetë, por edhe për pasardhësit e tij, tërë njerëzimi që rrodhi prej tij me anë të riprodhimit të zakonshëm, mëkatoi në Adamin dhe ra me të në shkeljen e tij të parë (1Korintasve 15:22, Romakëve 5:12).
16. Në ç’gjendje e solli njerëzimin rënia në mëkat?
Rënia në mëkat e solli njerëzimin në një gjendje mëkatare dhe të mjerueshme (Romakëve 5:18).
17. Çfarë përfshin gjendja mëkatare në të cilën ra njeriu?
Gjendja mëkatare në të cilën ra njeriu, përfshin fajin e mëkatit të parë të Adamit (Romakëve 5:19), mungesën e drejtësisë fillestare (Romakëve 3:10) dhe korruptimin e tërë natyrës së tij, që zakonisht quhet mëkati fillestar (Efesianëve 2:1, Psalmi 51:5) bashkë me tërë shkeljet që vijnë si pasojë e këtyre gjërave (Mateu 15:19).
18. Cila është gjendja e mjerueshme në të cilën ra njeriu?
Tërë njerëzimi, me rënien e tij, humbi shoqërinë me Perëndinë (Zanafilla 3:8,24); është nën zemërimin dhe mallkimin e Tij, (Efesianëve 2:3 Galatasve 3:10) dhe kështu, iu nënshtrua tërë mjerimeve në këtë jetë, vdekjes dhe vuajtjeve të përjetshme të ferrit (Romakëve 6:23, Mateu 25:41).
19. A e la Perëndia të gjithë njerëzimin të humbiste në gjendjen e tij mëkatare dhe të mjerueshme?
Perëndia, sipas pëlqimit të vullnetit të Tij nga përjetësia, pasi kishte zgjedhur disa për jetë të përjetshme (2Thesalonikasve 2:13), hyri në një besëlidhje hiri për t’i çliruar ata nga gjendja mëkatare dhe e mjerueshme dhe për t’i sjellë në shpëtim me anë të një Shpengimtari (Romakëve 5:21).
20. Cili është Shpengimtari i të zgjedhurve të Perëndisë?
I vetmi Shpengimtar i të zgjedhurve të Perëndisë është Zoti Jezu Krisht (1Timoteut 2:5) i cili, duke qenë Biri i Përjetshëm i Perëndisë, u bë njeri (Gjoni 1:14); ishte dhe vazhdon të jetë Perëndi dhe njeri, në dy natyra të ndryshme duke qenë një person i vetëm përjetë (1Timoteut 3:16, Kolosianëve 2:9).
21. Si u bë Krishti njeri duke qenë se Ai ishte Biri i përjetshëm i Perëndisë?
Krishti, Biri i Perëndisë, u bë njeri duke marrë në vetvete një trup të vërtetë (Hebrenjve 2:14) dhe një shpirt të arsyeshëm (Mateu 26:38, Hebrenjve 4:15); u ngjiz nga fuqia e Frymës së Shenjtë në Marinë e virgjër dhe u lind prej saj (Luka 1:31,35), por megjithatë, pa mëkat (Hebrenjve 7:26).
22. Çfarë funksionesh kryen Krishti si Shpengimtari ynë?
Krishti, si Shpengimtari ynë, ushtron funksionin e një profeti (Veprat e Apostujve 3:22), të një Prifti (Hebrenjve 5:6) dhe të një Mbreti (Psalmi 2:6), si në gjendjen e Tij të përulur, ashtu edhe në gjendjen e lartësuar.
23. Si e ushtron Krishti funksionin e Tij si profet?
Krishti e ushtron funksionin e Tij si profet, duke na zbuluar (Gjoni 1:18) me anë të Fjalës së Tij (Gjoni 20:31) dhe Frymës së Tij (Gjoni 14:26) vullnetin e Perëndisë për Shpëtimin tonë.
24. Si e ushtron Krishti funksionin e Tij si prift?
Krishti e ushtron funksionin e Tij si prift, kur njëherë e përgjithmonë ofroi vetveten si flijim për të kënaqur drejtësinë hyjnore (Hebrenjve 9:28), për të na pajtuar me Perëndinë (Hebrenjve 2:17) dhe duke ndërmjetësuar vazhdimisht për ne (Hebrenjve 7:25).
25. Si e ushtron Krishti funksionin si Mbret?
Krishti e ushtron funksionin si Mbret duke na nënshtruar ndaj Vetvetes (Psalmi 110:3), duke sunduar mbi ne, duke na mbrojtur (Mateu 2:6, 1Korintasve 15:25), duke na mbajtur dhe duke mundur të gjithë armiqtë e Tij dhe tanët.
26. Nga çfarë përbëhet përulja e Krishtit?
Përulja e Krishtit përbëhet nga lindja e Tij dhe kjo lindje ishte në kushte të mjerueshme (Luka 2:7); u lind nën ligj (Galatasve 4:4) duke përjetuar mjerimin e kësaj jete (Isaia 53:3), duke përjetuar zemërimin e Perëndisë (Mateu 27:46), duke përjetuar vdekjen e mallkuar të kryqit (Filipianëve 2:8), duke u varrosuar dhe duke qenë nën fuqinë e vdekjes për një kohë (Mateu 12:40).
27. Nga çfarë përbëhet lartësimi i Krishtit?
Lartësimi i Krishtit përbëhet nga ringjallja e Tij prej së vdekuri ditën e tretë (1Korintasve 15:4), nga ngjitja e Tij në qiell dhe të ulurit në anën e djathtë të Perëndisë Atë, (Marku 16:19) dhe nga ardhja e Tij për të gjykuar botën në ditën e fundit (Veprat e Apostujve 17:31).
28. Si bëhemi ne pjesëtarë të shpengimit të blerë nga Krishti?
Ne bëhemi pjesëtarë të shpengimit të blerë nga Krishti me anë të zbatimit efektiv të shpengimit ndaj nesh (Gjoni 1:12) nga Fryma e Tij e Shenjtë (Titi 3:5-6).
29. Si e zbaton Fryma e Shenjtë në ne shpengimin e blerë nga Krishti?
Fryma e zbaton te ne shpengimin e blerë nga Krishti duke sjellë te ne besimin (Efesianëve 2:8) dhe duke na bashkuar me anë të besimit me Krishtin në thirrjen tonë efektive (Efesianëve 3:17).
30. Çfarë është thirrja efektive?
Thirrja efektive është vepra e Frymës së Perëndisë (2Timoteut 1:9), me anë të së cilës Ai na bind për mëkatin dhe mjerimin tonë (Veprat e Apostujve 26:18) duke ndriçuar mendjet tona në njohurinë e Krishtit dhe duke ripërtërirë vullnetin tonë (Ezekieli 36:26), na bind dhe na mundëson të përqafojmë Krishtin të ofruar falas në ungjill (Gjoni 6:44,45).
31. Çfarë përfitojnë në këtë jetë ata që janë thirrur efektivisht?
Ata që janë thirrur efektivisht marrin në këtë jetë shfajësimin (Romakëve 8:30), birësimin (Efesianëve 1:5), shenjtërimin dhe përfitime të tjera që në këtë jetë ose i shoqërojnë ata ose burojnë prej tyre (1Korintasve 1:30).
32. Çfarë është shfajësimi?
Shfajësimi është një veprim i hirit që na jepet falas nga Perëndia, në të cilin Ai fal të gjitha mëkatet tona (Romakëve 3:24, Efesianëve 1:7) dhe na pranon si të drejtë para syve të Tij (2Korintasve 5:21) vetëm për shkak të drejtësisë së Krishtit që na është dhënë (Romakëve 5:19). Shfajësimi merret vetëm me anë të besimit (Galatasve 2:16, Filipianëve 3:9).
33. Çfarë është birësimi?
Birësimi është një veprim i hirit që na jepet falas nga Perëndia (1Gjonit 3:1) me anë të të cilit pranohemi në familjen e Perëndisë dhe kemi të drejtë mbi të gjitha privilegjet e bijve të Perëndisë (1Gjonit 1:12, Romakëve 8:17).
34. Çfarë është shenjtërimi?
Shenjtërimi është vepra e Frymës së Perëndisë (2Thesalonikasve 2:13) me anë të të cilit ripërtërihemi në tërë qenien sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (Efesianëve 4:24) dhe mundësohemi përherë e më tepër të vdesim për mëkatin dhe të jetojmë për drejtësinë (Romakëve 6:11).
35. Cilat janë përfitimet që në këtë jetë ose i shoqërojnë, ose burojnë nga shfajësimi, birësimi dhe shenjtërimi?
Përfitimet që në këtë jetë ose e shoqërojnë, ose dalin nga shfajësimi (Romakëve 5:1,2,5) janë:
1. Siguria e dashurisë së Perëndisë, paqja e ndërgjegjes dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë (Romakëve 14:17).
2. Rritja në hir dhe këmbëngulja në hir deri në fund (Fjalët e Urta 4:18; 1Gjonit 3:13; 1Pjetrit 1:5).
36. Çfarë përfitojnë besimtarët nga Krishti kur vdesin?
Kur besimtarët vdesin, shpirtrat e tyre bëhen të përsosur në shenjtëri (Hebrenjve 12:23) dhe shkojnë menjëherë në lavdi (Filipianëve 1:23; 2Korintasve 5:8; Luka 23:43). Trupat e tyre, duke qenë akoma të bashkuar me Krishtin (1Thesalonikasve 4:14), pushojnë në varret e tyre (Isaia 57:2) deri në ringjallje (Jobi 19:26).
37. Çfarë përfitojnë besimtarët nga Krishti kur ringjallen?
Në ringjalljen e tyre, besimtarët, duke qenë se ringjallen në lavdi (1Korintasve 15:43), do të njihen dhe do të falen haptazi ditën e gjykimit (Mateu 10:32) dhe do të bëhen përsosmërisht të bekuar në shpirt dhe trup duke iu gëzuar shoqërisë me Perëndinë (1Gjonit 3:2) gjatë gjithë përjetësisë (1Thesalonikasve 4:17).
38. Çfarë do të ndodhë me të ligjtë kur të vdesin?
Shpirti i të ligjve pasi të vdesin do të hidhet në vuajtjet e ferrit (Luka 16:22-24) dhe trupat e tyre do të qëndrojnë në varr deri në ringjalljen dhe gjykimin e ditës së madhe (Psalmi 49:14).
39. Çfarë do të ndodhë me të ligjtë në ditën e gjykimit?
Në ditën e gjykimit, trupat e të ligjve, pasi të kenë dalë nga varret së bashku me shpirtrat e tyre, do të ndëshkohen në vuajtje të papërshkrueshme me djallin dhe engjëjt e tij përjetë (Danieli 12:2; Gjoni 5:28,29; 2Thesalonikasve 1:9; Mateu 25:41).
40. Cili është rregulli i bindjes që Perëndia i zbuloi njeriut?
Rregulli që Perëndia i zbuloi në fillim njeriut për bindjen e tij është ligji moral (Ligji i Përtërirë 10:4; Mateu 19:17) që është përmbledhur me dhjetë urdhërimet.
41. Cila është përmbledhja e dhjetë urdhërimeve?
Përmbledhja e dhjetë urdhërimeve është të duam Zotin Perëndinë tonë me gjithë zemrën tonë, me gjithë shpirtin tonë, me gjithë forcën tonë dhe me gjithë mendjen tonë, dhe të duam të afërmin porsi vetveten (Mateu 22:37-40).
42. Cili është urdhërimi i parë?
Urdhërimi i parë është: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje”.
43. Çfarë kërkohet në urdhërimin e parë?
Urdhërimi i parë kërkon të njohim (1Kronikasve 28:9) dhe të pranojmë Perëndinë si të vetmin Perëndi të vërtetë dhe si Perëndinë tonë (Ligji i Përtërirë 26:17); ta adhurojmë dhe ta lavdërojmë si të vetmin Perëndi të vërtetë dhe si Perëndinë tonë (Mateu 4:10).
44. Cili është urdhërimi i dytë?
Urdhërimi i dytë është: “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiej ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as nuk do t’i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e katërt të atyre që më urrejnë dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.”
45. Çfarë kërkohet në urdhërimin e dytë?
Në urdhërimin e dytë kërkohet pranimi, vëzhgimi (Ligji i përtërirë 32:46; Mateu 28:20) dhe mbajtja e pastër dhe e plotë e adhurimeve dhe urdhërimeve, ashtu siç i ka përcaktuar Perëndia në Fjalën e Tij (Ligji i Përtërirë 12:32).
46. Çfarë ndalohet në urdhërimin e dytë?
Në urdhërimin e dytë ndalohet adhurimi i Perëndisë me anë të shëmbëlltyrave (Ligji i Përtërirë 4:15,16), apo në çfarëdo lloj forme tjetër që nuk është dhënë në Fjalën e Tij (Kolosianëve 2:18).
47. Cili është urdhërimi i tretë?
Urdhërimi i tretë është: “Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e Tij”.
48. Çfarë kërkohet në urdhërimin e tretë?
Urdhërimi i tretë kërkon një përdorim të shenjtë dhe nderues të emrave të Perëndisë (Psalmi 29:2), të titujve dhe atributeve të Tij (Zbulesa 15:3,4), të urdhërimeve të Tij (Predikuesi 5:1), të Fjalës së Tij (Psalmi 138:2) dhe të veprave të Tij (Jobi 36:24; Ligji i përtërirë 28:58,59).
49. Cili është urdhërimi i katërt?
Urdhërimi i katërt është: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në to do të bësh të gjithë punën tënde; por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë.”
50. Çfarë kërkohet në urdhërimin e katërt?
Në urdhërimin e katërt kërkohet që të shenjtërohen për Perëndinë kohë të tilla të caktuara në Fjalën e Tij, shprehimisht mbajtja e një dite të plotë nga shtatë ditët e javës që të ishte një shabat i shenjtë për Të.
51. Çfarë ndalohet në urdhërimin i katërt?
E shtuna duhet shenjtëruar duke pushuar në mënyrë të shenjtë gjatë gjithë ditës, madje duke lënë edhe punët e zakonshme dhe aktivitetet që janë të ligjshme në ditët e tjera (Levitiku 23:3) dhe duke kaluar tërë kohën në adhurimin e Perëndisë në publik dhe privatisht (Psalmi 92:1,2; Isaia 58:13,14), me përjashtim të kohës që harxhohet në punë të nevojshme dhe vepra mëshire (Mateu 12:11,12).
52. Cili është urdhërimi i pestë?
Urdhërimi i pestë është: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep”.
53. Çfarë kërkohet në urdhërimin e pestë?
Urdhërimi i pestë kërkon ruajtjen e nderit dhe kryerjen e detyrave që u përkasin të gjithëve në pozicionet dhe marrëdhëniet e tyre të ndryshme si: 1. Superiorë ( Efesianëve 5:21,22 6:1,5; Romakëve 13:1) 2. Inferiorë (Efesianëve 6:9) 3. Ose të bararabartë (Romakëve 12:10).
54. Cila është arsyeja që i bashkangjitet urdhërimit të pestë?
Arsyeja që i bashkangjitet urdhërimit të pestë është një premtim për një jetë të gjatë dhe të begatë, nëse bëhet për lavdinë e Perëndisë dhe për të mirën e tyre, për të gjithë ata që e mbajnë këtë urdhërim (Efesianëve 6:2,3).
55. Cili është urdhërimi i gjashtë?
Urdhërimi i gjashtë është: “Nuk do të vrasësh”.
56. Çfarë ndalohet në urdhërimin e gjashtë?
Urdhërimi i gjashtë ndalon vetëvrasjen (Veprat e Apostujve 16:28), vrasjen e të afërmit padrejtësisht (Zanafilla 9:6), ose çfarëdo gjë tjetër që ka këtë tendencë (Fjalët e Urta 24:11,12).
57. Cili është urdhërimi i shtatë?
Urdhërimi i shtatë është: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”.
58. Çfarë ndalohet në urdhërimin e shtatë?
Urdhërimi i shtatë ndalon të gjitha mendimet (Mateu 5:28; Kolosianëve 4:6), fjalët (Efesianëve 5:4, 2Timoteut 2:22) dhe veprimet e pakontrolluara (Efesianëve 5:3).
59. Cili është urdhërimi i tetë?
Urdhërimi i tetë është: “Nuk do të vjedhësh”.
60. Çfarë ndalohet në urdhërimin e tetë?
Urdhërimi i tetë ndalon çfarëdo që pengon, ose mund të pengojë padrejtësisht pasurinë tonë dhe gjendjen e jashtme (1Timoteut 5:8; Fjalët e Urta 28:19, 21:6), ose pasurinë e të afërmve dhe gjendjen e tyre të jashtme (Efesianëve 4:28).
61. Cili është urdhërimi i nëntë?
Urdhërimi i nëntë është: “Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd”.
62. Çfarë kërkohet në urdhërimin e nëntë?
Urdhërimi i nëntë kërkon mbajtjen dhe përhapjen e së vërtetës midis njeri-tjetrit (Zakaria 8:16), mbajtjen dhe përhapjen e së vërtetës për veten tonë (1Pjetrit 3:16 Veprat e Apostujve 25:10) dhe për emrin e mirë të fqinjit tonë (3Gjonit 1:12), në mënyrë të veçantë kur dëshmojmë (Fjalët e Urta 14: 5,25).
63. Cili është urdhërimi i dhjetë?
Urdhërimi i dhjetë është: “Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, asgjë tjetër që është e të afërmit tënd”.
64. Çfarë ndalohet në urdhërimin e dhjetë?
Urdhërimi i dhjetë ndalon pakënaqësinë për ato çfarë kemi (1Korintasve 10:10), lakmimin ose pikëllimin për të mirën e të afërmit tonë (Galatasve 5:26) dhe të gjitha emocionet dhe ndjenjat e papërmbajtuara për çfarëdo gjë që ai ka (Kolosianëve 3:5).
65. A është në gjendje ndonjë njeri të mbajë urdhërimet e Perëndisë?
Asnjë njeri, që nga rënia, nuk është në gjendje në jetën e tij të mbajë përsosmërisht urdhërimet e Perëndisë (Predikuesi 2:7), por i thyen ato në mendime (Zanafilla 8:21), në fjalë (Jakobi 3:8) dhe vepra (Jakobi 3:2).
66. A janë të gjitha shkeljet e ligjit njësoj të urryeshme?
Disa mëkate në vetvete dhe për shkak të keqësimeve të ndryshme janë më të urryeshme para Perëndisë sesa disa të tjera (Gjoni 19:11; 1Gjonit 5:15).
67. Çfarë meriton çdo mëkat?
Çdo mëkat meriton zemërimin dhe mallkimin e Perëndisë, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën që do të vijë (Efesianëve 5:6; Psalmi 11:6).
68. Si mund t’i shpëtojmë zemërimit dhe mallkimit që meritojmë për mëkatin tonë?
Në mënyrë që t’i shpëtojmë zemërimit dhe mallkimit të Perëndisë që meritojmë për shkak të mëkatit, duhet të besojmë në Zotin Jezu Krisht (Gjoni 3:16), duke u mbështetur vetëm në gjakun dhe në drejtësinë e Tij. Ky besim shoqërohet nga pendimi për të kaluarën (Veprat e Apostujve 20:21) dhe çon në shenjtëri në të ardhmen.
69. Çfarë është besimi në Jezu Krishtin?
Besimi në Jezu Krishtin është një hir shpëtues (Hebrenjve 10:39) me anë të të cilit ne e pranojmë (Gjoni 1:12) dhe mbështetemi vetëm mbi Atë për shpëtim (Filipianëve 3:9), siç është paraqitur tek ungjijtë (Isaia 33:22).
70. Çfarë është pendimi?
Pendimi është një hir shpëtues (Veprat e Apostujve 11:18) me anë të të cilit një mëkatar, për shkak se vërtet i kupton mëkatet e tij (Veprat e Apostujve 2:37) dhe kupton mëshirën e Perëndisë në Krishtin (Joel 2:13), me hidhërim dhe urrejtje për mëkatin e tij, kthehet nga mëkati te Perëndia (Jeremia 31:18,19), me qëllim të plotë për të ndjekur bindjen e re (Psalmi 119:59).
71. Cilat janë mjetet e jashtme me anë të të cilave Fryma e Shenjtë na komunikon të mirat e shpengimit?
Mjetet e jashtme dhe të zakoshme me anë të të cilave Fryma e Shenjtë na komunikon të mirat e shpengimit të Krishtit janë: Fjala, me anë të së cilës shpirtrat fillojnë jetën shpirtërore, Pagëzimi, Darka e Zotit, Lutja dhe Meditimi. Me anë të të gjithë këtyre besimtarët ndërtohen më tej në besimin e tyre gjithnjë e më të shenjtë (Veprat e Apostujve 2:41,42; Jakobi 1:18).
72. Si bëhet e efektshme Fjala për të sjellë shpëtim?
Fryma e Perëndisë e bën të lexuarit, por në mënyrë të veçantë të predikuarit e Fjalës një mjet efektiv për bindjen dhe kthimin e mëkatarëve (Psalmi 19:7), për ndërtimin e tyre në shenjtëri dhe ngushëllim (1Thesalonikasve 1:6) përmes besimit drejt shpëtimit (Romakëve 1:16).
73. Si duhet lexuar dhe dëgjuar Fjala që të jetë e efektshme për të sjellë shpëtim?
Në mënyrë që Fjala të bëhet e efektshme për të sjellë shpëtim, duhet ta ndjekim atë me zell (Fjalët e Urta 8:34), me përgatitje (1Pjetrit 2:1,2), me lutje (Psalmi 119:18), duhet ta pranojmë me besim (Hebrenjve 4:2) dhe dashuri (2Thesalonikasve 2:10), duhet ta vendosim në zemrat tona (Psalmi 119:11) dhe ta praktikojmë në jetët tona (Jakobi 1:25).
74. Si ndihmojnë nga ana shpirtërore Pagëzimi dhe Darka e Zotit?
Pagëzimi dhe Darka e Zotit ndihmojnë nga ana shpirtërore, jo për shkak të ndonjë virtyti që gjendet në to, ose në atë që i administron ato, (1Korintasve 3:7; 1Pjetrit 3:21), por vetëm me anë të bekimit të Krishtit (1Korintasve 3:6) dhe punës së Frymës në ata persona që i marrin ato me anë të besimit (1Korintasve 12:13).
75. Çfarë është Pagëzimi?
Pagëzimi është një urdhëresë e Dhiatës së Re e vendosur nga Jezu Krishti (Mateu 28:19), që është për personin që pagëzohet një shenjë e bashkësisë së tij me Krishtin, në vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Tij, (Romakëve 6:3, Kolosianëve 2:12), një shenjë që tregon se ai është vendosur në Krishtin (Galatasve 3:27), një shenjë e faljes së mëkateve (Marku 1:4, Veprat e Apostujve 22:16), një shenjë që tregon se po ia jep veten Perëndisë përmes Jezu Krishtit që të jetojë dhe të ecë në risinë e jetës. (Romakëve 6:4,5).
76. Kush mund të pagëzohet?
Duhet të pagëzohen të gjithë ata që dëshmojnë se janë penduar ndaj Perëndisë (Vep.2:38, Mateu 3:6, Marku16:16, Veprat e Apostujve 8:12, 36, 37; 10:47, 48), që besojnë në Zotin Jezu Krisht dhe në asnjë person tjetër.
77. A duhet të pagëzohen fëmijët e atyre që dëshmojnë një gjë të tillë?
Fëmijët e atyre që dëshmojnë një gjë të tillë nuk duhet të pagëzohen, sepse nuk ka asnjë urdhëresë, as shembull në Shkrimet e Shenjta për pagëzimin e tyre (Eksodi 23:13 Fjalët e Urta 30:6).
78. Cila është mënyra se si duhet të bëhet pagëzimi?
Mënyra se si duhet bërë pagëzimi është përmes zhytjes, ose futjes tërësisht në ujë të personit (Mateu 3:16, Gjoni 3:23), në emër të Atit, të Birit dhe të Frymës së Shenjtë (Mateu 28:19, 20). Pagëzimi nuk bëhet me spërkatje apo hedhje uji, ose duke zhytur ndonjë pjesë të trupit në ujë sipas traditave të njerëzve (Gjoni 4:1-2, Veprat e Apostujve 8:38, 39).
79. Cila është detyra e atyre që pagëzohen siç duhet?
Detyra e atyre që pagëzohen është ta dorëzojnë vetveten në një kishë të veçantë dhe të rregullt të Jezu Krishtit (Veprat e Apostujve 2:47, Veprat e Apostujve 9:26, 1Pjetrit 2:5), në mënyrë që të ecin në urdhërimet dhe porositë e Zotit në bindje të plotë (Luka 1:6).
80. Çfarë është Darka e Zotit?
Darka e Zotit është një urdhëresë e Dhiatës së Re e vendosur nga Jezu Krishti, me anë të së cilës duke dhënë dhe marrë bukë dhe lëng rrushi, sipas asaj që Ai ka caktuar, paraqitet vdekja e Tij (1Korintasve 11:23-26) dhe marrësit e denjë të darkës së Zotit, jo sipas një mënyre fizike dhe mishërore, por me anë të besimit bëhen pjesëtarë të trupit dhe gjakut të Tij, me të gjitha dobitë e Tij, për ushqimin e tyre shpirtëror dhe rritjen në hir (1Korintasve 10:16).
81. Çfarë kërkohet që të mund të marrësh pjesë denjësisht në Darkën e Zotit?
Që të mund të marrësh pjesë denjësisht në Darkën e Zotit kërkohet që të analizosh veten për njohurinë që ke për dallimin e trupit të Zotit (1Korintasve 11:28,29), për besimin tënd për t’u ushqyer në Atë (2Korintasve 13:5), për pendimin tënd (1Korintasve 11:31), për dashurinë (1Korintasve 11:18-20) dhe për bindjen e re (1Korintasve 5:8), përndryshe, duke ardhur padenjësisht, ha dhe pi një dënim për vetveten (1Korintasve 11:27-29).
82. Çfarë thuhet përmes fjalëve “derisa të vijë” që janë përdorur nga Apostulli Pal në lidhje me Darkën e Zotit?
Këto fjalë mësojnë mjaft qartë që Zoti ynë Jezu Krisht do të vijë për herë të dytë. Ky është gëzimi dhe shpresa e të gjithë besimtarëve (Veprat e Apostujve 1:1, 1Thesalonikasve 4:16).
Marrë me lejen e Kishës së Hirit, Tiranë
Grace Church, Tirana