Teksti i zotit Mudi
Predikim nr 2541
Nga C. H. Spurgeon
Tabernakulli Metropolitan, Njuington
15 qershor 1884
“Do të kem besim (do të besoj) e nuk do të kem frikë.” {#Isaia 12:2}
E pashë këtë tekstin të reklamuar duke qenë i shtypur me ngjyra dhe ishte quajtur: “Teksti i zotit Mudi.” Kur e pashë dje, e pyeta se si vallë ishte teksti i tij më shumë së ç’është imi. Ai tha se ishte i sigurt se nuk e dinte—ai kurrë nuk e kishte quajtur tekstin e tij, aq sa ishte në dijeni. Dikush mund ta ketë menduar këtë tekst si shumë të përshtatshëm për të dhe me të vërtetë ashtu është, por e rivendikoj tekstin si timin gjithashtu dhe do të këshilloja çdo të krishterë të thotë, “është teksti im gjithashtu.” Do të isha shumë i kënaqur nëse disa që nuk janë të krishterë të mund të silleshin, me anë të Hirit të Perëndisë, në lidhjen e Besëlidhjes dhe të mund të jenë të aftë ta mbërthejnë këtë tekst dhe të thonë, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë.” I thashë zotit Mudi se nëse ky tekst nuk i përkiste ndonjë njeriu tjetër në veçanti, me siguri që ishte i imi. Ai tha, “si kështu?” “Epo” u përgjigja “ia shpjegova njerëzve të mi domethënien e këtij teksti pak kohë më parë.” Miq të shtrenjtë, ju kam thënë se mund të shkoni në Qiell me anë të trenit të Hirit falas nëse hipni në të dhe s’ka rëndësi se në cilin vagon, por ama është e këshillueshme nëse do të mundnit, të udhëtoni në klasin e parë. I vura në dukje vagonin e klasit të tretë. Ja çfarë është—”Kur do të kem frikë, do të besoj në Zotin.” Nëse hipni aty, do të shkoni pa problem deri në fund të udhëtimit, por është shumë më mirë të jesh atje ku ka jastëkë të butë dhe të këndshëm për t’u mbështetur. Ky është vagoni i klasit të parë—”Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Ma merr mendja se nuk jeni më të sigurt në njërin vagon se sa në një tjetër, por me siguri që keni më shumë rehati në vagonin e klasit të parë!”
“Do të besoj e nuk do të kem frikë.”
Tani mbas këtij ilustrimi, e rivendikoj tekstin si t’imin. Sidoqoftë, do të jetë akoma më shumë i imi duke i përkitur njerëzve të tjerë. Mendoj se një njeri tkurr zotërimet e tij kur nuk i lejon të tjerët t’i gëzojnë pa humbur vetë ai gëzimin e tyre. Por e bën thesarin tënd më të pasur dhe më të bollshëm kur çdo njeri tjetër mund ta ketë dhe prapëseprapë ti vetë nuk ke fare më pak. Kështu është me këtë tekst të mrekullueshëm! Unë mund ta them atë. Ti mund ta thuash atë, Vëllai im dhe ti Motra ime. Dhe ti, zotëri i respektueshëm dhe ti besimtar djaloshar—secili nga ju mund të thotë, me anë të Hirit të Perëndisë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.”
Sidoqoftë, njeriu që guxon ta thotë dhe që duhet ta thotë është njeriu i përshkruar në këtë kapitull të jashtëzakonshëm të Isaisë. “Atë ditë do të thuash: unë të kremtoj, o Zot.” Njeriu që mund të thotë me të vërtetë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” është njeriu që prej zemrës së tij lavdëron Perëndinë—është njeriu që shpenzon frymën e tij dhe jetën e tij duke madhëruar Shumëtëlartin. Më pas profeti vazhdon, “Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua.” Kështu që njeriu që mund të thotë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” është njeriu që ka ndjerë diçka prej zemërimit të Perëndisë, dikush që ka njohur çfarë do të thotë të jesh nën fshikullin e Ligjit, por që ka kuptuar gjithashtu çfarë është të jesh i çliruar prej kthetrës së tij të egër. Ai që nuk ka ndjerë kurrë barrën e mëkatit besoj se nuk do ta njohë kurrë gëzimin e besimit. E çfarë do të besonte vallë ai? Për çfarë shkaku do të kishte frikë vallë atëherë kur nuk sheh ndonjë mëkat në vetvete? Por ai që është me vetëdije një mëkatar është njeriu që mund të thotë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” kur Zoti i ka falur atij mëkatin. Isaia vazhdon më tej, “Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi Yt me mua u qetësua dhe më ke ngushëlluar. Ja Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë.” Kur i gjithë shpëtimi jot gjendet në Perëndinë, veçanërisht në Perëndinë ashtu si Ai e zbulon veten në Personin e Zotit Jezu Krisht—kur Krishti është shpëtimtari yt dhe të ka shpëtuar prej mëkatit tënd, atëherë me të vërtetë mund të thuash, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Është me shpresën se po i drejtohem shumë njerëzve këtu të këtij karakteri që kam marrë këtë tekst, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Nëse mundem, do të bëj katër gjëra me tekstin. Së pari do ta dredh tekstin. Së dyti do ta shpërdredh atë. Së treti do ta ngjesh atë. Së katërti do ta lavdëroj.
I- Së pari, pra, ju propozoj të bëj çfarë ju mund të mendoni së është një gjë shumë e tmerrshme dhe që normalisht nuk mund ta bëja dot. Domethënë do ta dredh tekstin. Vini re se nuk do ta bëj vetë unë këtë; synoj vetëm që t’ju them se si shumë njerëz e përdredhin atë. Ata përdorin gati të njëjtat fjalë, por i vendosin në pozicionin e gabuar. Për shembull, një njeri thotë, “Nuk do të besoj e prapëseprapë nuk do të kem frikë.” Ai nuk thotë, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” por, “Nuk do të besoj e prapëseprapë nuk do të kem frikë. Nuk jam besimtar në Krisht. Nuk kam nevojë për ndonjë Ungjill Hiri Falas. Nuk kam nevojë për mëshirë, sepse jam i drejtë, e kam respektuar Ligjin. Nuk do të besoj në Jezus e prapëseprapë nuk do të kem frikë.” Sa keq, ka njerëz që nuk e thonë këtë me fjalë, por në fakt kjo është pikërisht ajo çfarë thonë! Ata nuk kanë drejtësi përveç atë të vetën dhe ajo është veç rroba të fëlliqura—prapëseprapë ata thonë se janë të pasur me bollëk, plot me të mira dhe pa pasur nevojë për asgjë. Kam dëgjuar për një njeri që shkroi mbi derë këto fjalë, “Asnjë njeri i lig mos të hyjë këtu.” Njëri prej fqinjëve të tij vërejti se nëse ai do ta zbatonte vetë urdhrat e tij, nuk do të mundte kurrë të hynte në vetë shtëpinë e tij! Kam frikë se ka shumë njerëz që i mendojnë të gjithë të tjerët të ligj përveç vetes së tyre, prapëseprapë sikur të mundnin të shikonin përbrenda tyre, do të zbulonin se njeriu i lig jo vetëm që jeton në shtëpinë e tyre, por edhe se koka e tij është nën kapelën e tyre! Ata janë në fakt njerëzit e këqij edhe pse mendojnë se janë të drejtë. Tani, mik i shtrenjtë, nëse ta merr mendja se mund të jetosh në këtë botë i mbështjellur me veten tënde pa pasur frikë, nëse ta pret mendja se mund, pa frikë, të vdesësh i veshur vetëm me drejtësinë tënde, të lutem që të mos jesh një i pamend i tillë sa të përfytyrosh se mund të zgjohesh në botën e përtejme me vetë drejtësinë tënde pa pasur frikë. Oh, sikur të kishe një pamje të qartë se sa e metë dhe e ndyrë është drejtësia jote nën sytë e Perëndisë, nuk do të guxoje kurrë t’i besoje sadopak! Burra më të mirë se ty si përshembull Davidi, kanë klithur “Mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para Teje.” Ungjilli na mëson se nuk ka shpëtim nëpërmjet veprave tona. Nëse do të kishte, atëherë pse do të ishte e nevojshme vepra e Krishtit? Pse do të ishte e nevojshme vallë ajo tragjedi atje në Kalvar nëse do të mundnim ta shpëtonim veten e të qëndronim të qetë dhe të patrazuar e pa frikë pa e vendosur besimin në Zotin Jezu Krisht? Ju përgjërohem, mos përvetësoni një gjuhë të tillë krenare dhe mburravece sa të thoni, “Nuk do të besoj dhe prapëseprapë nuk do kem frikë.”
A je vallë kokë e këmbë një njeri i botës? A thua “më jepni plot për të ngrënë dhe për të pirë dhe nuk e çaj kokën për atë besim që i jepni kaq rëndësi. Dua para në dorë! Dua të kem riskun tim tani?” Nëse kjo është mënyra jote e të folurit tënd tani, mund të vijë një kohë kur do të jesh i qetë dhe vetëm dhe papritur frika do të të vijë te ty vjedhurazi. Mund të vijë një kohë telashesh kur ngushëllimet e kësaj bote do të zhduken prej teje. Mund të vijë një periudhë sëmundjeje kur të gjitha çantat e tua me para, sikur të viheshin mbi trupin tënd vuajtës, nuk do të mund ta shëronin dhe kur të gjitha zotërimet e tua do ta bënin më të vështirë për ty të vdesësh dhe t’i lësh mbrapa! Mos u përpiq ta dredhësh tekstin tim në këtë mënyrë, të përgjërohem fort, sepse do të humbisje sikur të thoshe, “Nuk do të besoj e prapëseprapë nuk do të kem frikë.” Më pas e kam parë tekstin të dredhur në një tjetër mënyrë si kjo, “Do të kem frikë e nuk do të besoj.” Ka shumë njerëz që janë duke bërë këtë gjë. Nëse nuk e shprehin me fjalë, ata e praktikojnë në jetën e përditshme. Ata janë natyrshëm të tutshëm, ata kanë frikë prej shumë prej ngjarjeve të zakonshme që ndodhin nën Providencën e Perëndisë dhe ata kanë gjithashtu ndërgjegje të mjaftueshme për të ditur se kanë bërë faj nën sytë e Perëndisë—dhe se mëkati duhet dënuar. Kështu ata kanë frikë dhe vazhdojnë të kenë frikë, sepse nuk duan t’i mirëbesojnë Jezu Krishtit për t’i shpëtuar. Kjo është një gjendje shumë e dhimbshme për këdo që e përjeton—dhe nëse bëhet akoma më e dhimbshme nuk do të habitesha—dhe as nuk do të kisha ndonjë mëshirë të veçantë për njeriun që është në një gjendje të tillë. Nëse ai zgjedh të ketë frikë dhe refuzon të besojë, çfarëdo dëmi që mund të ndjekë prej këtij mosbesimi, ai e meriton tërësisht. O mik, nëse ke frikë, të përgjërohem që të besosh në Zotin Jezu Krisht! Nëse jo, druaj se një prej këtyre ditëve do të fillosh të besosh në frikën tënde!
Po pyet, “Si mund ta bëj këtë?” Kam parë një mori njerëzish të cilët, për shkak se kanë ndjerë peshën e mëkatit kanë filluar të besojnë në bindjet e tyre. Ata kanë thënë, “Ne nuk jemi si disa që njohim. Nuk mund të mëkatojmë pa druajtur ç’ka i kushton ndërgjegjes. Ne po kërkojmë Shpëtimtarin, kemi dëshirë të gjejmë Krishtin.” Megjithatë këtu mbesin pa shkuar më tej. Kam dëgjuar dikë të thotë se një gjendje mendore e tillë si kjo është shpesh pragu i Hirit. Kështu besoj edhe unë, por nëse ndonjëri nga ju shkon për në shtëpinë e vet dhe ulet gjatë gjithë natës në pragun e saj, ma pret mendja se polici aty pranë do të donte të dinte se ç’po bëni atje. Do të dyshoja se keni marrë diçka që nuk ju ka bërë aspak mirë meqë qëndroni ulur atje gjithë natën! Nuk do t’jua rekomandoja të përpiqeshit për këtë gjë, madje edhe në kuptimin e mirëfilltë. Por shpirtërisht, është një gjë e tmerrshme të arrish te pragu i Hirit dhe të ulesh atje—të arrish te pragu i Qiellit dhe të ulesh atje, sepse jashtë Qiellit është Ferri edhe pse je në vetë pragun e Qiellit! Nëse nuk je në Krisht je jashtë Krishtit! Ai që nuk është i gjallë është i vdekur. Ai që nuk është i larë është i fëlliqur. Ai që nuk është i ripërtëritur është i paripërtëritur. Nuk mund të ketë ndonjë hapësirë midis këtyre të dyjave—nuk ka vend asnjanës. Të përgjërohem pra, mos i mirëbeso frikës tënde! Mos rri i kënaqur në atë gjendje. Kam njohur njerëz të futen brenda dhe të dalin jashtë prej Shtëpisë së Perëndisë dhe që nuk kanë pranuar kurrë Krishtin. Ata janë bërë gjithnjë e më shumë dyshues të vërtetuar, mosbesues të vërtetuar, dëshpërues të vërtetuar. Oh, të përgjërohem, mos rri në atë gjendje! Është një gjendje e tmerrshme zemre! Në vend që të thoni, “Do të kem frikë dhe nuk do të besoj,” Perëndia Fryma e Shenjtë ju sjelltë ëmbëlsisht të thoni, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Ka një kategori të tretë njerëzish që e dredhin tekstin tim në këtë mënyrë, “Do të besoj e do të kem frikë.” Përsëri më duhet të rrëfej se ata nuk e thonë këtë, por e bëjnë dhe veprimet flasin më me zë të lart se fjalët. Ata besojnë, prapëseprapë ata kanë frikë. Duket sikur kjo gjë nuk mund të jetë e mundur, prapëseprapë kam njohur disa për të cilët kam qenë i shtrënguar të besoj, me një gjykim të mëshirshëm, se ata me të vërtetë besojnë dhe kështu që ata janë të shpëtuar, prapëseprapë pavarësisht kësaj, ata kanë shumë frikë. Oh, këta njerëz të mirë të dashur të paqëndrueshëm! Ata duket sikur të ishin të vendosur ta lënë veten jashtë Mbretërisë së Perëndisë edhe atëherë kur porta e Mëshirës qëndron e hapur gjerë e gjatë! Dielli është duke ndriçuar me shkëlqim, ata ulin poshtë qepenin dhe nuk mund të kënaqen derisa të kenë përjashtuar çdo rreze dielli. Kjo nuk është gjë e mirë, sepse, miku im i shtrenjtë dyshues, nuk i sjell lavdi Perëndisë! Kjo nuk rekomandohet nga feja e vërtetë dhe është një gur pengese në rrugën e shumë njerëzve të tjerë të mirë. Nëse jam duke iu drejtuar ndonjë prej njerëzve të tillë, i ri apo i vjetër, i lutem Zotit që t’i mundësojë që të heqin dorë prej këtij zakoni të keq të së besuarit e prapëseprapë duke pasur frikë.
Merrni kurajë ju shumë të ndrojtur dhe ndryshoni tonin. Përpiquni të vendosni një “Silah,” në jetën tuaj, ashtu si Davidi bëri shpesh në Psalmet e tij. Shpesh ai futi një “Silah,” dhe më pas ai ndryshoi çelësin, drejtpërsëdrejti. Në të njëjtën mënyrë ndrysho çelësin e këndimit tënd—je mjaft poshtë me tonin. Le të tendosen pak telat e harpës dhe le të mos kemi më shumë prej këtyre notave të ulëta të vajtueshme. Na nxirr një çelës tjetër të lutem dhe fillo të thuash me Profetin Isaia, “Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi Yt me mua u qetësua dhe më ke ngushëlluar. Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë.”
II. Tani në radhë të dytë, do ta shpërdredh tekstin. Domethënë do të përpiqem ta shpalos pak, për t’ju treguar se ç’ka në të, duke ia zbatuar situatave në të cilat do të jetë e drejtë dhe e duhur për ju të thoni, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Dhe së pari, mik i shtrenjtë, thuaj këtë në lidhje me të besuarin në Krisht. “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Disa shpirtra të dashur kanë frikë t’i mirëbesojnë Krishtit. Nëse do të kuptonin më mirë atëherë do të kishin frikë ngaqë nuk i mirëbesojnë Atij. Ai na urdhëron që t’i mirëbesojmë Atij dhe Ai e ka shpallur mjaft qartë se cilat janë rrjedhojat e mosbindjes ndaj urdhëresës së Tij.—”Ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar”—kështu që besimi duhet të jetë një detyrë dhe mosbesimi një fyerje e tmerrshme nën sytë e Perëndisë. Atje ku ka një mosbindje krejtësisht të përforcuar që zotëron mendjen dhe zemrën, është me të vërtetë një gjendje e tmerrshme për këdo. Të dashur, kurrë mos kini frikë t’i mirëbesoni Krishtit! Mbështetuni shumë fort te Ai—mbështetni të gjithë peshën tuaj te Ai. Ejani të sillni te këmbët e Tij barrët, mëkatet, shqetësimet, trazirat tuaja—asgjë nuk i jep më shumë ëndje Zotit tonë se sa kur Ai mirëbesohet—dhe sa më shumë i mirëbesojmë Atij aq më shumë i pëlqen. “Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij,” por kur keni besim, atëherë mund të sillni çfarë të doni te Barrë-Mbajtësi i madh “duke hedhur çdo shqetësim te Ai, sepse Ai kujdeset për ju,” duke thënë, ashtu siç bëni me të vërtetë, “Do të besoj dhe kurrë nuk do të kem frikë t’i mirëbesoj Jezusit, por do të kem frikë t’i mosmirëbesoj Atij.”
O miq të shtrenjtë, kurrë mos kini frikë prej Jezusit! A druani Emanueli apo tmerroheni prej Qengjit të Perëndisë? Qengji është një emblemë e bukur e Krishtit. Cili fëmijë i vogël ka frikë prej një qengji. Ai mund të ketë frikë prej një luani të ri, por edhe një fëmijë do ta vendoste dorën e tij mbi një qengj dhe do të luante me të pa pasur fare frikë. Kurrë mos kini frikë të vini te Krishti!
Ashtu siç jua kam thënë shpesh, keni nevojë për një ndërmjetës midis jush dhe Perëndisë, por nuk keni nevojë për një ndërmjetës midis vetes suaj dhe Ndërmjetësit, Njeriut Krishtit Jezus! Kjo do të thotë ta bëje pa dobi Ndërmjetësin për ne. Eja te Ai pikërisht ashtu si je dhe thuaj, “Nuk do kem frikë prej Zotit Jezu Krisht. Do t’i mirëbesoj dhe nuk do të kem frikë.”
Më pas vazhdo të thuash, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë në lidhje me gjithë mëkatshmërinë time të kaluar. Kjo mjafton që të më frikësojë, por lexoj në Shkrimet se, “gjaku i Jezu Krishtit, Birit të Tij, na pastron nga çdo mëkat.” Dhe se “çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve.” Kështu pra atëherë, unë, me duart fajtore, i zi ashtu si nata më e thellë e ferrit, nuk kam frikë të vij dhe të lahem në Burimin e mbushur me gjak, duke i thirrur Zotit ashtu si unë bëj “Më laj dhe do të jem më i bardhë se bora—po, më i bardhë se bora.” O të dashur, vendoseni gjithë besimin tuaj te Jezusi dhe mos kini frikë, cilado të kenë qenë padrejtësia dhe shkelja në të kaluarën, sepse Ai do t’i fshijë shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë!
Përsa i përket mëkatshmërisë së tashme, zemra juaj është shumë mëkatare, “gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme,” por mund të thoni edhe në lidhje me këtë, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë,” sepse Zoti ka thënë, “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri.” Ai mund të të bëjë të pastër dhe të shenjtë! Ai mund të të japë një zemër prej mishi, të butë dhe të ndjeshme ndaj lëvizjeve të Frymës së Tij hyjnore. Do të kesh një natyrë të re, duke pasur përbrenda saj një farë të gjallë dhe të pakorruptueshme që jeton dhe mbetet përherë!
Tani dua që të shkoni edhe një hap më larg, nëse mundni dhe të thoni, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë në lidhje me çfarëdo që guxoj të besoj. ” Ka disa gjëra për të cilat nuk mund ta vendosni besimin tuaj te Perëndia. Nëse shkon me shoqëri të keqe, nuk mund të thuash, “Do të besoj dhe nuk do të kem dëm.” Nëse fillon të frekuentosh vende dëfrimi të dyshimta, nuk mund të thuash, “I besoj Perëndisë se mund të futem aty brenda dhe të dal jashtë dhe prapëseprapë pa marrë ndonjë sëmundje.” Kjo është mendjemadhësi dhe jo besim! Por sa herë që i beson Perëndisë në lidhje me shqetësimet, telashet, ose çfarëdo qoftë, thuaji vetes në lidhje me këto gjëra, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë.” A nuk është një gjë e bekuar që të gjithë nevojat e njerëzve të Perëndisë të mund të plotësohen menjëherë prej Perëndisë të tyre? Është llogaritur se për të ushqyer bijtë e Izraelit në shkretëtirë, duhet të jenë dashur njëqind mije shinikë manë çdo ditë. Tani, ju të rinj, vihuni punës dhe llogarisni sa bën në dyzet vjet! Nga erdhi e gjithë kjo? Për aq sa syri mund të dallonte, nuk erdhi nga asgjëkund—prapëseprapë ra kudo! Sikur të nevojiteshin njëqind mijë shinikë mielli nëse—domethënë, nëse si një fëmijë i Perëndisë, me të vërtetë do të nevojitej, Perëndia mund ta nxjerrë prej atje nga nxori një qind mijë shinikë manë çdo mëngjes—domethënë, prej vetë gjithëmjaftueshmërisë së Tij. Me siguri që Ai mund të plotësojë të gjithë nevojat e tua—prandaj thuaj, “Do të besoj dhe nuk do të kem frikë pa dallim për çdo gjë që është një objekt i ligjshëm mirëbesimi. Për çfarëdo që Perëndia më thërret të jem, të bëj, ose të vuaj, do t’i mirëbesoj Atij dhe nuk do të kem frikë.”
Dëshiroj gjithmonë të bëj kështu duke qenë shërbenjës i Perëndisë. Nuk e kam bërë gjithmonë, më vjen keq ta them, prapëseprapë dëshiroj të bëj kështu. A nuk e keni vënë re ndonjëherë këtë gjë në lidhje me shërbenjësit e krishterë, se ata kanë nevojë për më shumë mëshirë se njerëzit e tjerë? Ndoshta dikush po pyet, “E si e di vallë këtë?” E di me siguri ngaqë po ndjek apostullin Pal. Dhe nëse i lexoni nga fillimi në fund Letrat e tij drejtuar Romakëve, Korintasve, Galatasve, Efesianëve, Filipianëve, Kolosianëve, Thesalonikasve dhe Filemonit, do të shikoni se çfarë bekimesh ai i uron njerëzve në fillim të secilës letër. Ose nëse nuk është që në fillim, gjendet ca vargje më poshtë—”Paçi hir dhe paqe.” Ju e mbani mend se Pali i shkroi gjithashtu tre Letra shërbenjësve—dy Timoteut dhe një Titit. E çfarë i thotë këtyre? Ai thotë, “Hir, mëshirë, paqe nga Perëndia At dhe Krishti Jezus Zoti ynë,” sikur të mendonte se edhe pse secilit i nevojitej mëshirë, shërbenjësit kishin më shumë nevojë për të më shumë se çdo kush tjetër!
Dhe po ashtu dhe ne, nëse nuk jemi besnikë, do të jemi mëkatarë më të mëdhenj, madje edhe më shumë së dëgjuesit tanë dhe duhet shumë Hir për ne për të qenë gjithmonë besnikë—dhe shumë mëshirë kërkohet për të mbuluar të metat tona. Kështu që do t’i marr këto tre gjëra për veten time—”Hir, mëshirë dhe paqe.” Ju mund të mbani dy, “Hir dhe paqe,” por mua më nevojitet mëshirë më shumë se secili prej jush. Kështu që e marr atë prej duarve të dashura të Zotit tim dhe do t’i mirëbesoj e nuk do të kem frikë, me gjithë të metat, dobësitë, profkat dhe gabimet gjatë gjithë shërbesës sime. Akoma do ta hedh të gjithë barrën time mbi Zotin tim të bekuar dhe akoma do të vazhdoj të mirëbesoj duke mos pasur frikë. Mirëpo, miq të shtrenjtë, ju mund të bëni të njëjtën gjë—të gjithë ne le të bëjmë kështu! Perëndia na ndihmoftë ta bëjmë, që tani e më pas dhe Ai do të ketë të gjithë lavdinë!
III. Do të marr vetëm ca minuta mbi dy pikat e tjera. E kam dredhur dhe shpërdredhur tekstin. Tani më duhet që ta ngjesh atë mbi zemrat tuaja.
“Do të besoj e nuk do të kem frikë,” sepse nëse kam frikë, do të çnderoj Perëndinë. Nëse i besoj Perëndisë dhe më pas të kem frikë, do të sjell çnderim për emrin e Tij. Nga çfarë kam frikë vallë? Nëse Ai më ka dhënë një premtim dhe i besoj atij, pse vallë duhet të kem frikë? A kam frikë se Ai nuk mund ta përmbushë dot? Asnjeri nga ne mos t’i ngjasojë Moisiut kur ai tha, “Ky popull, në mes të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur dhe ti ke thënë: “Unë do t’ju jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tëre!” Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish?Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që të kenë një sasi të mjaftueshme?” Moisiu ra në një gjendje zemre mosbesuese, por Perëndia i tha, “Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh nëse fjala ime do të shkojë në vend apo jo.” Zoti me siguri që mund ta përmbushë premtimin e Tij, cilido qoftë premtimi. Pse të kesh frikë atëherë? A ke frikë se Ai nuk do ta përmbushë premtimin e Tij? Kjo është një fyerje ndaj nderit, të vërtetës dhe besnikërisë së Tij!
“Oh, por nuk mund të mendoj dot se Ai do ta përmbushë premtimin për mua!” Patjetër që duhet të kesh një kod shumë të çuditshëm moraliteti ma merr mendja që flet kështu! A ta pret mendja vallë se një njeri mund mos t’ia mbajë premtimin një tjetri nëse ky tjetri na del i lig? Epo, sikur t’i bëja një premtim djallit dhe sikur të ishte një premtim i përshtatshëm për mua për t’u bërë, do ta mbaja atë! Nuk do të merrja në konsideratë faktin se kam të drejtë të mos mbaj fjalën time të dhënë për shkak se njeriu të cilit i kam premtuar t’i jap diçka, nuk është ashtu si duhet të jetë! Dhe jini të sigurt, pa asnjë mëdyshje, Perëndia do ta mbajë premtimin e Tij çfarëdo që ti mund të jesh. “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse Ai nuk mund të mohojë vetveten.” Prandaj pra, mos e vë në dyshim as pushtetin e Perëndisë as vullnetin e Tij për të përmbushur premtimin e Tij.
“Ah,” po thua, “E di se Ai e kishte për zakon të mbante premtimin e Tij dhe se bekoi Abrahamin, Isakun, Jakobin, Jozefin, Davidin dhe Danielin dhe shumë më tepër.” Dhe a ka ndryshuar Perëndia që atëherë? A është bërë një Perëndi i lëkundshëm? Oh, është shpifje ndaj Tij vetëm ta mendosh një gjë të tillë! I afrohet blasfemisë! Ai që u tregua i vërtetë ndaj Abrahamit do të jetë i vërtetë ndaj të gjithë atyre që i mirëbesojnë Atij. Ai akoma nuk ka gënjyer askënd dhe Ai kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Ai është i njëjti dje, sot dhe përherë—një Perëndi i Pandryshueshëm, që mban Fjalën e Tij nga brezi në brez dhe duke mos e braktisur Besëlidhjen që ka bërë me bijtë e njerëzve. Oh, mirëbesoi Atij dhe mos ki frikë, ose përndryshe do të çnderosh emrin e Tij të shenjtë! Nuk do të dëshiroje ta bëje këtë, jam i sigurtë.
Përsëri, mirëbesoi Atij dhe mos ki frikë, ose përndryshe do ta mundosh shumë veten. A nuk e di se duke mos i mirëbesuar Perëndisë ne shpesh bëjmë fshikull për vetë kurrizin tonë? Ne mendojmë se mund të parashikojmë një trazirë të madhe që me shumë mundësi nuk do të vijë kurrë. Njihja një shpirt të vjetër të mirë që shqetësohej nëse do t’i mbesnin mjaft para për varrim. Më duhet të rrëfej se ky është një hall që nuk do të më ndodhë kurrë—mendoj se njerëzit do të kenë vullnet të mirë për të më varrosur, me pagesë apo jo prej meje—herët a vonë, ata do të merren me këtë! Por kjo e shqetësonte goxha të shkretën zonjë të moshuar. Ajo tha se sikur të jetonte 80 vjet, e gjithë paraja e saj do të shpenzohej. Asokohe ajo ishte vetëm 70 vjeç dhe vdiq atë vit—kështu që ajo e kishte vrarë mendjen për dhjetë vite që më pas i kaloi në Qiell! Cila ishte dobia e gjithë atij shqetësimi? “Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.” Mos sill prej së nesërmes pikëllimin e saj, por lini të gjithë shqetësimet dhe ankthet në duart e Perëndisë ose përndryshe mund të shqetësoheni, trazoheni dhe të turbulloheni dhe të mundoheni dhe të pikëlloni veten dhe më keq akoma, do të trishtoni gjithashtu Frymën e Perëndisë!
Më lejoni gjithashtu të shtoj se do të doja me këmbëngulje t’ju përgjërohesha që të besoni dhe mos të keni frikë, ose përndryshe do të jeni një shqetësim për të tjerët. Është detyra jonë të jemi të durueshëm me njerëz të pikëlluar dhe shpresoj se e bëjmë këtë gjë me të vërtetë, por kur janë njerëz që nuk kanë shkak pse të pikëllohen, është një taksë e jashtëzakonshme mbi ndërgjegjen që nuk duhet velur! Ka mjaftueshëm mjerim në këtë botë pa qenë e nevojshme që ne t’i shtojmë mjerimin tonë të papërfillshëm.—
“O ju, të përjashtuar, gëzohuni,”
Ju jeni fëmijët e Perëndisë të lumtur. Ngrihuni dhe përhapni përreth jush një atmosferë hareje dhe gëzimi teksa këndoni, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.” Nëse nuk besoni, do të kini gjithnjë e më shumë frikë. Nëse nuk lufton me forcë kundra frikës tënde dhe nuk lutesh kundra saj, së fundmi, do të arrish deri atje sa do të kesh frikë të gjendesh brenda nga frika se mos të shembet shtëpia. Do të kesh frikë të hysh në ndonjë rrugë se mos një tjegull bie nga çatia. Do të kesh frikë të shkosh të flesh gjumë se mos vdesësh përpara se të zgjohesh—dhe do të kesh frikë të rrish zgjuar nga frika se mos ndesh ndonjë trazirë të re. Do të arrish deri aty sa do të jesh si një gjethe plepi, përherë duke u dredhur! Në vend që të jetë në këtë gjendje të gjorë, i krishteri duhet t’i kërkojë Perëndisë që të mund të jetë me kurajë—dhe besimi është një mbështetje e madhe për kurajën dhe palëkundshmërinë. Asgjë nuk mund të na ndodhë përveç asaj që Perëndia ka caktuar! Asgjë nuk mund t’i ndodhë besimtarit përveç asaj që Perëndia ka përgatitur ose ka lejuar për të. Vish të gjithë armaturën e Perëndisë dhe do të jesh, nga thembra në kokë, i mbrojtur kundra të gjitha thumbave të zjarrtë të të ligut. Atëherë me të vërtetë mund të besosh dhe nuk do të kesh frikë! Perëndia dhëntë që teksti ynë sot të mund të shtypet në zemrat tona në mënyrë që menjëherë të fillojmë të jemi më të gëzuar nëse kemi qenë të fjetur dhe të trishtuar në të kaluarën!
IV. Tani, së fundmi, do të lavdëroj tekstin dhe do të kem mbaruar kështu. O vëllezër dhe motra, sikur të thoshit, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” sa të guximshëm do të ishit! Do të përparoni në detyrë. Do të përparoni në shërbim. Do të përparoni në rrëfimin e Krishtit përpara njerëzve, duke mos pyetur nëse njerëzit e pëlqejnë apo jo, sepse ndërsa i mirëbesoni Perëndisë nuk do t’i druheni njerëzve! Mendoj se keni dëgjuar historinë e një djaloshi që shkoi në det. Në udhëtimin e tij të parë, kapiteni i tha, “A mund të ngjitesh dot?”Ai u përgjigj, “Eh, që ç’ke me të!” Ai mendoi se mund të ngjitej, ngaqë i ishte ngjitur një peme të vjetër për të arritur një fole zogjsh kur kishte qenë në vendin e tij. Mbas një farë kohe kapiteni i tha t’i ngjitej direkut për t’u marrë me diçka atje lart. Teksa anija kridhej në gropën e detit dhe më pas u ngrit përsëri në kreshtën e dallgëve dhe djaloshi i shkretë ndjeu direkun të tundej sa andej këndej ashtu si pema në kopsht nuk ishte tundur ndonjëherë, ai filloi të ndjehej shumë ndryshe dhe pati frikë se do të binte.
Kapiteni i mirë, që po e shikonte dhe që pati përshtypjen se me shumë mundësi ai do të binte, i bërtiti, “Djalosh, shiko lart! Ai vështroi lart dhe kjo e shpëtoi atë! Atij po i merreshin gjithnjë e më shumë mendtë dhe do të kishte rënë sikur të kishte vazhduar të shikonte dallgët—dhe atëherë do të ishte vrarë. Por kur pa lart, çdo gjë lart ishte në rregull. Dielli nuk lëkundet sa andej këndej! Kështu që duke parë lart, djaloshi harroi frikërat e tij, kreu detyrën dhe zbriti i sigurt. Edhe ju vëllezër dhe motra të shtrenjtë, do të zbuloni se gjëja më e mirë për të bërë është të shikosh lart! Atëherë kur keni qenë duke parë poshtë dhe përreth jush dhe keni filluar të dridheni dhe të druani se do të bini poshtë, shikoni lart, shikoni lart! Thoni, “Do të besoj e nuk do kem frikë”–dhe ai shikim lart do t’ju bëjë të guximshëm në shërbimin e Mjeshtrit! Më pas, e ngjesh këtë tekst në zemrat tuaja, sepse do t’ju bëjë të urtë. Jam i sigurt se shumë njerëz kanë bërë një gjë të gabuar ngaqë kanë pasur frikë. Është njeriu mbi barkë që shqetësohet dhe lëviz sa andej këndej—që shkakton pështjellim dhe turbullon ekuipazhin. Por njeriu që di se nuk mund të bëjë asgjë duke u shqetësuar ose duke kërcyer nga një anë në një tjetër, qëndron thjesht në vendin e tij dhe bën gjënë e duhur—atëherë barka vazhdon ashtu si duhet. Ja një njeri në treg. Ai po merret me tregtinë e ca mallrave dhe çdo gjë duket se po shkon kundra tij. Tani, nëse ai shqetësohet dhe është në ankth dhe thotë, “Do të falimentoj, e di se kështu ka për të ndodhur,” është shumë e mundshme se do të ndodhë me të vërtetë. Por nëse ai është mjaft i urtë sa të gjejë një cep të qetë dhe atje të lutet—gjithçka do të shkojë mirë. Asnjë përveç Zotit nuk dëgjoi se çfarë tha, por kjo nuk kishte rëndësi. Thjesht vetëm duke i folur Perëndisë në atë mënyrë qetëson mendjen dhe frymën e tij. Dhe kur kthehet, ai duket se i thotë vetes, “tani, jam gati për çdo gjë. Jam i qetë dhe në prehje dhe mund të shoh tani se ç’duhet të bëj, sepse nuk kam frikë. Po e vendos besimin te Perëndia.” Nëse keni frikë, nuk mund ta fitoni betejën e jetës. Duhet të keni kurajë dhe kuraja mund të vijë te ju vetëm nëpërmjet besimit. Prandaj, përsëri ju ngjesh këtë tekst në zemrën tuaj—thoni prej zemrës suaj, “Do të besoj e nuk do të kem frikë”–dhe atëherë do të bëni gjënë më të urtë që mund të bëhet.
Më pas, sa të fortë do të jeni—aq të fortë sa do të jeni të aftë t’i përçoni forcën tuaj të tjerëve! Kur ajo anije, që kishte si shenjë Dioskurët, lëkundej sa andej këndej mbi det, secilin mbi kuvertë e kishin kapur dridhmat përveç një njeriu—një hebre shtatvogël që në fillim të gjithë e kishin përçmuar, por që më pas të gjithë e nderuan. E njihni ngjarjen—”prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi. Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: “O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t`i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje. Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni toruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes. Sepse këtë natë m`u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej, duke thënë: “Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t`i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty”. Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m`u tha.”
Më vonë, Pali tha, “Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë. Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë.” Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë. Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.”
Kjo ishte gjëja më e mirë për të gjithë ata—çfarë mund të bëjë një marinar kur nuk ka futur gjë në gojë? Çfarë mund të bëj ndonjëri prej nesh nëse ngordhim urie? Kështu që ata të gjithë hëngrën dhe morën forca dhe kur koha erdhi për veprim, ata ishin gati për të. Mirëbesimi i qetë i Palit në Perëndi u bë mjeti i shpëtimit i të gjithë atyre që ishin në anije. O fëmijë i shtrenjtë i Perëndisë, sikur të ishe si ky burrë trim, do të jesh një bekim i madh kudo ku je! Dhe atëherë, sa i lumtur që do të jesh më pas! Nëse mund të thuash, “Do të besoj e nuk do të kem frikë,” do të jesh po aq i lumtur kur ditët janë të gjata në mes të verës dhe zemra jote do të këndojë ashtu si zogjtë në agim! Dhe shpirti yt do të jetë si një kopsht i ujitur në muajin e lulëzuar të qershorit dhe ti vetë, do të kesh dy parajsa—një Parajsë mbi tokë dhe më pas Parajsën e përjetshme lart! Do të përparosh nga lavdia në lavdi, vetë Perëndia duke qenë me ty. I lutem vetë Frymës së Shenjtë, të shkruajë këtë mesazh në zemrat tuaja, “Do të besoj e nuk do të kem frikë.”
Shtjellim nga C. H. Spurgeon
Psalmi 27
Vargu 1. Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Nëse një njeri ka një dritë që nuk mund të shuhet kurrë, një diell që nuk do të perëndojë kurrë dhe një shpëtim që duhet të shpëtojë përherë—dhe se Perëndia është e gjitha kjo dhe më shumë akoma për cilindo që i mirëbeson Atij—atëherë çfarë arsye do të kishte ai vallë për të pasur frikë?
Vargu 1. Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë? Nëse unë jetoj në Të dhe Ai jeton në mua, kush mund të më vrasë vallë? Kush mund të më dëmtojë? Nëse Ai është forca ime, çfarë detyre do të ishte e pamundur? Çfarë vuajtje do të më shtypte vallë? “Nga kush do të kem frikë?”
Vargu 2. Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë. Ata ishin të këqij në karakter ashtu dhe të egër në prirje, sepse ata kishin vendosur ta gllabëronin atë, ashtu si do të mund të kishin bërë bishat e egra. Ata patën sukses për aq sa ju lejua, sepse ai thotë, “Më sulmuan.” Megjithatë ai nuk pati nevojë të ngrinte as shpatën as shigjetën kundër tyre, sepse “ata vetë u lëkundën e ranë.” E tillë është fuqia e Perëndisë sa Ai shpejt zbulon dobësinë e kundërshtarëve të njerëzve të Tij.
Vargu 3. Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë. Është pikërisht përpara se beteja fillon kur ne druajmë më tepër, atëherë kur armiku fushon kundra nesh. Ne nuk e dimë se sa i fortë është armiku, as çfarë dëmi do të mund të na shkaktojë—dhe pasiguria shpesh sjell tmerr. Prapëseprapë thotë Psalmisti, “edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë.”
Vargu 3. Edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim. Armiqtë e mi le të fillojnë betejën; zhurma, tymi dhe pluhuri i luftës le të më rrethojnë, megjithatë do të jem akoma—
“I qetë mes klithmës së çoroditur,
me mirëbesim për fitoren.”
Vargu 4. Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj. Është një gjë shumë e madhe ta përqendrosh zemrën në mënyrë të tillë sa të ketë veçse një dëshirë—dhe më pas të ngrihesh në ndjekjen praktike të atij objekti të vetëm.
Vargu 4. Të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e Tij. A është e mundur për një njeri të jetojë në shtëpinë e Perëndisë tërë ditët e jetës së tij? Oh, po, njerëzit e mirë nuk dëshirojnë gjëra të pamundura. “Por,” ju po thoni, “ne nuk mund të jemi gjithmonë në Kishë ose në bashkësi.” Jo, po ama edhe sikur të ishit përherë atje, nuk do të thotë se do të ishit me të vërtetë aty! Por të jesh si një fëmijë në shtëpi me Perëndinë kudo që mund të jeni, të jetoni në Të dhe me Të kudo që jeni, kjo është të banosh në shtëpinë e Zotit gjatë gjithë ditëve të jetës suaj! Ju mund të filloni të banoni që tani në dhomat poshtë dhe dalëngadalë Ai do t’ju thërrasë dhe do t’ju thotë, “Mik, eja më lart, dhe do të ngjitesh në Dhomën e Sipërme atje ku të lavdëruarit banojnë përherë me Perëndinë e tyre. Është vetë dëshira ime të jem gjithmonë—
“Jo më një i huaj ose një i ftuar,
por si një fëmijë i shtëpisë,”
në shtëpi me Perëndinë tim tërë ditët e jetës sime, që të mund të vështroj bukurinë e Tij të pashprehshme dhe që të mund të pyes në Tempullin e Tij së cili është vullneti i Tij dhe cilat janë premtimet tepër të mëdha e të çmueshme që Ai më ka bërë në Fjalën e Tij.
Vargu 5. Sepse në ditën e fatkeqësisë Ai do të më fshehë në çadrën e Tij. Nëse jeton në Perëndinë, pak rëndësi ka nëse prekesh nga telashe ose jeton i lumtur, sepse do të fshihesh në çadrën e Tij!
Vargu 5. Do të më fshehë në një vend sekret të banesës së Tij, do të më lartojë mbi një shkëmb. Është çadra e Sovranitetit. Është tabernakulli i Flijimit. Është Shkëmbi i Pandryshueshmërisë dhe ai që mund të hyjë brenda në këto tre vende është njeriu më i sigurtë nën Qiell! I mbuluar në tendën mbretërore të Perëndisë, i fshehur në shenjtëroren më të thellë të Hyjnisë—Shenjtërorja e Shenjtërorëve—dhe i vendosur prej vetë Zotit mbi një shkëmb të pathërrmueshëm, çfarë mund të dëshirojmë më shumë?
Vargu 6. Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e Tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
Davidi përherë kthehet te Perëndia i tij. Jo, ai kurrë nuk largohet prej Tij. Mirëbesimi ndaj Tij, lavdërimi ndaj Tij, adhurimi ndaj Tij—kjo është vetë jeta e këtij Psalmi ashtu siç duhet të jetë me gjithë jetën tonë. Psalmisti thotë, “Do të këndoj.” Por vargu tjetër është—
Vargu 7. O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigju. Në një çast ai lavdëron dhe në çastin tjetër ai lutet! Kjo është e drejtë. Ju kam thënë shpesh se ne jetojmë duke marrë frymë dhe duke nxjerrë frymë. Ne marrim frymë në atmosferën e Parajsës nëpërmjet lutjes dhe e nxjerrim jashtë atë sërish me anë të lavdërimit. Lutja dhe lavdërimi përbëjnë thelbin e jetës së të Krishterit. Oh, për më shumë nga këto—jo lutje pa lavdërim, as lavdërim pa lutje! Lutja dhe lavdërimi ashtu si dy kuajt në qerren e Faraonit, e bëjnë jetën tonë të rrjedhë shtruar dhe me zhdërvjelltësi për nder dhe lavdi të Perëndisë.
Vargu 8. Zemra ime më thotë nga ana jote: “Kërkoni fytyrën time.” Unë kërkoj fytyrën tënde, O Zot. “Unë kërkoj fytyrën Tënde, o Zot.” Dhe ai e kërkoi me të vërtetë dhe e kërkoi menjëherë. Por, oh, ka shumë që janë thirrur që prej një kohe të gjatë për të kërkuar fytyrën e Perëndisë dhe që nuk i janë bindur kurrë ftesave! A bëni pjesë midis këtyre? Nëse po, Zoti pastë mëshirë për ju dhe ju thërrastë përsëri! Kur Ai thotë, “Kërkoni fytyrën Time” përgjigju, “Unë do të kërkoj fytyrën Tënde o Zot.”
Vargu 9. Mos ma fshih fytyrën Tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; Ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi e shpëtimit tim. Kjo është një lutje e madhe nga ana e Davidit! Ai merr në mbrojtje të kaluarën si një arsye për mëshirë në të tashmen—”Ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi e shpëtimit tim.” Është një gjë shumë e keqe të jetosh vetëm prej vizitave të së kaluarës. Ne kemi nevojë për vizita të freskëta prej Perëndisë. Mana e vjetër dhe përjetimet e vjetra shpejt korruptohen, por ama ju mund ta përdorni sadopak përjetimin tuaj të kaluar. Ashtu siç ndoshta keni parë barkëtarin në një kanal të lundrueshëm, ju mund të shtyni mbrapa për të dërguar barkën tuaj përpara. Ndonjëherë, kur keni veçse pak shpresë përbrenda, mund të sillni në mendje çfarë Perëndia ka bërë për ju në të kaluarën—dhe atëherë ju mund ta përgjëroni për të bërë të njëjtën gjë përsëri—”Ti ke qene ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim.”
Vargu 10. Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte. Ati dhe nëna ime janë të fundit që do mund të më braktisnin. Ata ishin të parët që më deshën dhe do të jenë të fundit që do të mund të më braktisnin, por nëse më braktisin me të vërtetë, atëherë i Përjetshmi do të më marrë dhe Ai do të jetë për mua si at ashtu dhe nënë.” Ashtu siç iu tha Naomit në lidhje me Ruthin, “Kunata jote që të do, është më mirë për ty se sa shtatë bij,” kështu Zoti mund t’i thotë njerëzve të Tij pa njeri, “A nuk jam vallë Unë për ty më mirë së një at, ose nënë, ose motër, ose fëmijë, ose grua, ose burrë? A nuk jam vallë më mirë se gjithçka tjetër? A nuk mund të gjesh vallë gjithçka në Mua? “Zoti do të pranojë.” Çfarë shëmbëlltyre e bukur që është kjo! Fëmija duket i braktisur, por Perëndia e merr dhe e shpie në kraharorin e Tij. “Oh, nuk jam fëmijë!” thotë ndonjëri. Por a nuk e mbani mend vallë atë tekst të çmuar, “Deri në pleqërinë tuaj Unë do të mbetem po Ai, Unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni”—ju të vjetër po ashtu si dhe ju të rinj—”Unë ju kam bërë dhe Unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj.” Është mirë të jesh pa asnjë mirëbesim tokësor në mënyrë që të mund të pranohemi vetëm prej Perëndisë.
Vargu 11. O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi. Bëje të qartë se çfarë duhet që të bëj. Bëje aq të qartë sa ta bëj atë. Le të mos ta justifikoj veten, por rruga ime të jetë aq e drejtë dhe e vërtetë sa madje edhe armiqtë e mi të mos mund të thonë asgjë kundra meje! “Më udhëhiq në një shteg të sheshtë për shkak të armiqve të mi.”
Vargu 12. Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën. “Dhuna është vetë frymëmarrja e tyre. Zot, më shpëto prej mizorisë së tyre!”
Vargu 13. Oh, do të isha mekur sikur të mos besoja të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve! “Do isha mekur sikur të mos besoja.” Keni për të zgjedhur midis këtyre dy gjërave—ose do të mekeni ose do të keni besim. Besimi është si një erë e athët shpuese që shpesh do të parandaloje një zalisje të papritur. Nuhasni pra premtimet, njihni se sa kundërmim kanë dhe frymët tuaja të gjora luhatëse do të ripërtërihen! “Do isha mekur sikur të mos besoja të shoh.” Çfarë? “Të besoja të shoh?” Kjo është mënyra e Davidit. Shumë duan të shikojnë për të besuar—kjo është mënyra mishërore, por mënyra e besimit, mënyra e hirshme është, “Oh, do të isha mekur sikur të mos besoja të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!”
Vargu 14. Ki besim të madh të Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti. Ai ia vlen që të besohet! Perëndia na ndihmoftë të gjithëve që të presim nga Ai me besim, për hir të emrit të Tij të shtrenjtë! Amen.