Thirrja e efektshme,e ilustruar prej thirrjes së Abramit
Predimi nr. 843
Nga C. H. SPURGEON
E mbajtur në mëngjes në Ditën e Zotit, 29 nëntor 1868
Në Tabernakullin Metropolitan,Njuington.
“Dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit.” {Zanafilla 12 :5}
Nëse dëshironi të njihni karakterin e një fëmijë, ndoshta do të mësonit shumë mbi të prej vëzhgimit të të atit. Zogu i ri fluturon dhe këndon ashtu si ati i tij ka bërë më përpara. Nëse do të donim të njihnim jetën e fëmijës së besimit, na duhet të studiojmë historinë e “atit të besimtarit.” Abrahami, njeriu i besimit, është një tip i të gjithë njerëzve besimtarë dhe tregimi i jetës së tij, nëse i marrë në konsideratë drejt, është pasqyra e historisë së të gjithë shenjtorëve të Perëndisë. Fillimi i karrierës së tij të besimit, kur ai së pari u nda prej vetë vendit të tij dhe shkoi në vendin e Kanaanit, përfaqëson në mënyrën më kuptimplotë thirrjen tonë të efektshme—kur ne jemi, prej veprës së Hirit të Plotfuqishëm, të ndarë nga bota dhe bëhemi t’i bindemi parimit të madh, “prandaj dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t`ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm”.
Jeta e besimtarit është siç ishte jeta e Abramit, një jetë veçan, një jetë e rregulluar nga ndjenja të tjera prej atyre që ngrihen prej marrëdhënieve të mishit dhe gjakut. Ishte një jetë e së ecurit në të padukshmen, në të cilën urdhërimi, prania dhe miratimi i Perëndisë janë konsiderata madhore. Është një jetë në të cilën besimi udhëheq shpirtin, duke u ulur si një kapiten në timonin e anijes. Abrami mohoi mishin, mbajti kryqin, shkoi jashtë kampit, u bë i shenjtëruar në Zotin dhe jetoi dhe vdiq si miku i Perëndisë dhe si një i huaj midis njerëzve. Fillimi i jetës së tij veçan është një tablo e gjallë e fillimit të së njëjtës jetë në vetë ne. Thirrja e Abramit përfaqëson thirrjen tonë dhe për këtë çështje ju kërkoj vëmendjen tuaj më të zellshme këtë mëngjes.
I. Së pari, THIRRJA E EFEKTSHME ËSHTË E ILUSTRUAR NË THIRRJEN E ABRAMIT. Ne kemi lexuar të gjithë historinë dhe kështu do t’ju freskoj vetëm kujtesën tuaj me të. Lexoni me kujdes vargjet e fundit të kapitullit 11 dhe të gjithë kapitullin 12 dhe kapni fillin e tregimit. Thirrja e Abramit ishte në radhë të parë rezultati i hirit sovran të Perëndisë. Bota dergjej krejtësisht në paganizëm. Njerëzit patën dalë gradualisht nga udha e drejtë për të adhuruar imazhet e gdhendura në vend të Perëndisë. Këtu ose aty mund të kishte ndonjë përjashtim, po ashtu si në rastin e Jobit ose të Melkisedekut, mirëpo errësirë e madhe mbulonte njerëzit.
Perëndia pati vendosur të përzgjidhte një familje që më pas do të rritej në një komb të veçantë, për të qenë ruajtësit e besimit të vërtetë. Se pse Ai përzgjodhi Abramin, vetëm Ai e di, sepse ne dimë se Terahu, ati i Abramit, i qe dhënë adhurimit të perëndive të rreme. “Etërit tuaj,” na thotë Jozueu në kapitullin e tij të 24 dhe vargu i dytë, “Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Teraku, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.”
Ajo familje, edhe pse jo dhe aq e korruptuar sa mbetja tjetër e njerëzimit, sido që të jetë, qe bërë e korruptuar. Dhe ne gjejmë idhujt në shtëpinë e Labanit, pasardhësi i tyre. Prapëseprapë hiri sovran i Perëndisë zgjodhi familjen e Terahut, dhe prej asaj familje të favorizuar Zoti i ushtrive përzgjodhi Abramin në mënyrë hyjnore. Arsyeja, e përsëris, arsyeja mbetet në qëllimet e pahulumtueshme të Perëndisë, diçka e pazbuluar për ne, edhe pse pa dyshim zgjedhja u bë prej Zotit për arsyet më të urta dhe më hyjnore. Abrami ishte një njeri me të meta. “Ju do të përgjigjeshit, një njeri gjithashtu me shumë virtyte.” Po, por ato virtyte që i ishin dhënë prej Frymës së Perëndisë, nuk ishin shkaku i zgjedhjes së tij, por rezultati. Ai është një shembull i sovranitetit të Perëndisë duke zbatuar deklaratën hyjnore, “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri”.
Profetët shpesh folën me admirim për Abrahamin prej mëshirës që Zoti kishte treguar ndaj tij dhe në asnjë mënyrë ata nuk i njohën pozicionit të tij të favorshëm ndonjë meritë personale. “Shikoni,” thotë Isaia, “shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju ka lindur, sepse e thirra kur ishte vetëm. E bekova dhe e shumova.” Ai është i krahasuar, ashtu siç ishte, me një miniere, ose me një shkëmb nga ku kombi u pre dhe ata urdhërohen ta shikojnë këtë shkëmb si një pamje që do t’i përulte—dhe mendoj si rrjedhim—jo para meritës së etërve të tyre, por para hirit të Perëndisë.
Dhe përsëri, “Ati im ishte një Arameo (sirian) para se të vdesë.” I quajtur një sirian, si për të treguar se prej natyre ai ishte si të tjerët—dhe po ashtu si sirianët ishin idhujtarë, po ashtu ishte ai. “Një Arameo para se të vdesë,” me të cilën unë kuptoj jo të vdekur prej urisë fizike ose sëmundjes, por prej errësirës shpirtërore dhe largimit nga Perëndia i vërtetë. “Para se të vdesë,” dhe prapëseprapë mëshira e përjetshme hodhi vështrimin mbi të dhe e shpëtoi! Po, e pranofshin njerëzit ose jo, ajo e vërtetë e Perëndisë qëndron fort, përherë, se “ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri.” Thirrja e efektshme në të gjitha rastet ndjek qëllimin e përjetshëm. Paracaktimi, sipas pëlqimit të Tij hyjnor, është burimi i të gjitha bekimeve të Besëlidhjes që besimtari gëzon—
“Kurrë s’do kishit ndjerë fajin e mëkatit,
as ëmbëlsitë e dashurisë falëse,
nëse emrat tuaj të pavlerë
s’do ishin shënuar lart për jetën.”
Thirrja e Abramit, më pas, u zbatua në mënyrë hyjnore. Ne nuk lexojmë as se një engjëll e thirri as ndonjë Profet, as se ai u largua prej Urit të Kaldeasve prej lëvizjes së vetvetishme të vetë mendjes së tij. ” Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë,” thotë Stefani, në fjalimin e tij para vdekjes, “kur ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran.” Shpirtit të tij iu bë një zbulim i jashtëzakonshëm në lidhje me ekzistencën dhe karakterin e të vetmit Perëndi të vërtetë—dhe më pas, pasi u ndriçua në mënyrë të tillë që ai njohu në thellësinë e shpirtit të tij ekzistencën dhe lavdinë e të Përjetshmit—atëherë mesazhi erdhi, ndoshta në tinguj të dëgjueshëm, ndoshta prej një përshtypje të fortë mbi zemrën e tij, “Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj.”
Tani vini re se në çdo thirrje të hirshme me anë të së cilës një njeri është me të vërtetë i shpëtuar, thirrja vjen menjëherë prej vetë Perëndisë. Në përgjithësi përdoren ndërmjetësues—shërbenjësi flet, Bibla bëhet një dritë e gjallë, Providenca është një paralajmërim që nuk keqkuptohet—por as shërbenjësi, as Bibla, as Providenca nuk mund të thërrasin një njeri efektshmërisht pa shfaqjen e drejtpërdrejtë të fuqisë hyjnore në zemrën e çdo njeriu. Ah, vëllezërit dhe motrat e mia, ne mund të punojmë shumë për shpirtrat, por derisa Perëndia vë dorën e Tij në punë, asgjë nuk është kryer!
Thirrja që ne i bëjmë shpirtrave të vdekur i lë ata akoma në gjumin e tyre, por zëri i Jezusit nxjerr Llazarin jashtë varrit! Do t’ju kërkoja ju që jeni dëgjuesit e së vërtetës të Perëndisë që të mos jini kurrë të kënaqur thjesht vetëm me përdorimin e mjeteve. Shikoni te Perëndia i mjeteve! Lutuni Atij të shfaqë krahun e Tij dhe fuqinë e Hirit të Tij në ju. Dhe kurrë mos u kënaqni me atë që vetëm depërton në veshin e jashtëm, ose qëndron thjesht si kujtim—por lutuni që të shkojë në zemër dhe të qëndrojë në thellësinë më të madhe të frymës me anë të veprës së efektshme të Perëndisë Frymës së Shenjtë. “Krishti në ju” është fuqia e Perëndisë, por duhet të ketë një marrje të brendshme të Tij me anë të Frymës së Shenjtë, përndryshe gjithçka do të jetë e kotë! Duhet të ketë një vepër të mbinatyrshme, ose përndryshe ti nuk mund të shpëtohesh. Sado që dëshiroj të predikoj një shpëtim falas, nuk mund të harroj se, “duhet të lindni përsëri,” dhe askush nuk mund të vijë te Krishti po qe se Ati nuk e tërheq.” Thjesht natyra në kulmin e saj është e pamjaftueshme për jetën e përjetshme—shigjeta e saj është shumë e dobët për të qëlluar në shenjë—krahu i saj i vocërr është shumë i pafuqishëm për të kryer një ndryshim kaq hyjnor! Prandaj pra, thirrja e efektshme, çel prej qëllimit hyjnor dhe kryhet prej energjisë hyjnore. Dëgjues të shtrenjtë, le të jetë kjo lutja juaj Zotit që është i vetmi që mund t’ju shpëtojë—
“Vështro me mëshirë zbutëse
dhe shkri ngurtësinë time.
Godit me goditjen
e parezistueshme të dashurisë Tënde,
Dhe thyej këtë zemër guri!”
Në rastin e Abramit, përsëri, thirrja ishte personale dhe u bë akoma më shumë personale teksa vepronte. Së pari, kur Abrami u thirr në Ur të Kaldeasve, ai ndoshta mendoi se mund ta bindte Terahun, atin e tij dhe pjesën tjetër të familjes për ta shoqëruar atë. Dhe duket se ia doli mbanë në një farë mase, sepse ata shkuan deri në Haran. Por atje, për arsye të panjohura, familja ndaloi për një kohë të gjatë. Sa shpesh që është kështu me ne! Kur Perëndia fillon të punojë në shpirtrat tanë, ne do të donim me gëzim që të tjerët të vinin me ne dhe ndoshta vetë ne, bëjmë një lloj kompromisi me ta për të ndaluar në mes të rrugës nëse ata do të vinin deri aty. Më kot na e merr mendja se mund t’i shtyjmë të gjithë ata të ndihen dhe të veprojnë ashtu si ne, prandaj përderisa thirrja e efektshme nuk vjen te ata ashtu si te ne, duhet të ketë një ndarje.
Dashuria mund të dëshirojë ndryshe, por natyra mishërore dhe fryma e ripërtëritur nuk mund të merren vesh—Zoti ka bërë një dallim—dhe ne duhet akoma të presim prej Tij të marrë një prej një qyteti dhe dy prej një familje dhe t’i sjellë ata në Sion, ndërsa të tjerët refuzojnë të vijnë. Më pas mesazhi iu drejtua Abramit përsëri, “Largohu nga të afërmit e tu,” jo bashkë me të afërmit e tu, “dhe nga shtëpia e babait tënd.” Kështu që këtë herë, Abrami është i detyruar ta lërë Haranin, vendin e ndalesës, dhe të shkojë përpara me vendosmëri dhe më së fundmi në Kanaan.
Të dashur, ju dhe unë, nëse i përkasim Zotit, duhet të kemi një thirrje personale të posaçme. Gjithçka që dëgjoj për ungjillin si për njerëzit e tjerë dhe vetë unë nëse jam si gjithë turma e njerëzve, nuk më hyn në punë. Mirëpo kur i vë veshin për veten time dhe e vërteta e Perëndisë vjen në zemrën time, duke përshkruar rastin tim, duke zbuluar mjerimin tim, duke frymëzuar dëshirën time, duke ndezur shpresën time—atëherë pikërisht në atë çast ndodh që bëhet fuqia e Perëndisë për shpëtimin e shpirtit tim! O dëgjues i dashur, të përgjërohem të veçohesh nga të tjerët! Gjej mendërisht një kohë të qetë për veten tënde, madje edhe mes kësaj turme të madhe, dhe lëre zërin e Perëndisë të vijë tek ty ashtu si një farë e hedhur në vrimën e tokës që bujku ka gërmuar për atë qëllim—që të mund të ngrihet dhe të çelë dhe të nxjerrë fryt! Asgjë nuk ka vlerë përveçse një thirrje e dallueshme e drejtpërdrejtë që vjen brenda në zemër dhe në ndërgjegje!
Thirrja e Abramit ishte një thirrje për ndarje. Ndarja duhet të ketë qenë tepër e dhimbshme për të, sepse ishte kaq e plotë. “Largohu nga vendi yt” –çatdhesoje veten. Ji një i jabanxhi, i ardhur, i huaj. “Largohu nga të afërmit e tu.” Lëri lidhjet e natyrës t’i dorëzohen lidhjeve të hirit hyjnor. Formo marrëdhënie të reja dhe dorëzoju atyre lidhjeve që nuk janë të mishit dhe të gjakut. “Largohu nga shtëpia e babait tënd,” nga vendi i ngushëllimit dhe i pushimit, nga vendi i trashëgimisë dhe i zemërdashurisë. Njih një tjetër at dhe kërko një tjetër shtëpi. “Shko në vendin që do të të tregoj,” që nuk mund ta gjesh dot vetë, por që duhet të ta zbuloj. Vini re më pas thirrjen e efektshme, kur vjen në një njeri, është një shpatë ndarëse, duke e shkëputur prej shoqërimeve të vjetra. E bën që të ndihet se kjo botë nuk është vendi i tij. Ai jeton në të si një i huaj jeton në një tokë të huaj. Ai është në botë, por nuk është i botës. Apostulli thotë “qytetaria jonë është në qiejt.” Ne bëhemi qytetarë të një tjetër qyteti dhe jemi të huaj në këto qytete të tokës. Prandaj për hir të Krishtit i krishteri është i detyruar të jetë i ndarë në shumë pikëpamje prej njërit ose tjetrit të familjes dhe të afërmeve të tij që mbesin në mëkatet e tyre. Ata po jetojnë sipas mishit. Ata po kërkojnë këtë botë. Kënaqësia e tyre është këtu, ngushëllimi i tyre është poshtë qiejve. Njeriu që është i thirrur nga hiri hyjnor jeton nën të njëjtën çati, por nuk jeton nën ndikimin e të njëjtave motive—po ashtu nuk është i zotëruar nga të njëjta dëshira.
Ai është kaq i ndryshëm prej të tjerëve sa shumë shpejt ata e dallojnë këtë gjë dhe po ashtu si Ismaeli tallte Isakun, po ashtu bijtë e botës tallin fëmijët e ringjalljes. Thirrja e hirit, aq më shumë që dëgjohet aq më shumë përmbush ndarjen. Së pari, disa besimtarë, bëjnë vetëm një pjesë të udhës në mospërputhje me botën. Ata nuk janë veçse pjesërisht sipas imazhit të Jezu Krishtit dhe pjesërisht të shkëputur nga ndikimet e botës. Me të vërtetë, kështu ndodh me shumicën nga ne! Por teksa piqemi në gjërat e Perëndisë, vendimi ynë për Perëndinë bëhet më i plotë, bindja jonë ndaj ligjit të Krishtit bëhet më e përkryer dhe ka një ndarje më të madhe të vendosur midis nesh dhe botës.
Oh, do të doja që të gjithë të krishterët të mund ta besonin këtë të vërtetë të Perëndisë dhe ta zbatonin, se “ju nuk jeni nga bota, sikurse Krishti nuk është nga bota.” Të përpiqesh të jesh një i krishterë sipas botës ose një sipas botës dhe i krishterë do të thotë të arrish një gjë të pamundur! “Ju nuk mund t`i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” “Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë.” Jepjani zemrën asaj që është e vërtetë dhe e drejtë—por mos bëni kompromise. Thelbi i vërtetë i besimit të krishterë është të jesh i ndarë nga bota! Jo ndarja e jetës së murgut—ne nuk jemi as murgj as murgesha dhe as që Perëndia nuk do të donte të ishim kështu! Jezu Krishti jetoi mes njerëzve, duke ngrënë dhe duke pirë po ashtu si bënin të tjerët, duke mos mbështetur kështu asketizmin, duke mos e ndarë kurrë veten nga pjesa tjetër e njerëzimit, por jetoi si një Njeri i përkryer midis njerëzve! Prapëseprapë sa i veçuar prej mëkatarëve që Ai ishte! Ai ishte po aq Njeri i veçuar prej të gjithë të tjerëve sa do të kishte qenë një engjëll mes një tufe djajsh. Po ashtu duhet të jeni ju dhe unë.
Shkoni te të afërmit tuaj dhe në pazare e tregje, por mes gjithë përzierjeve tuaja me njerëzit e tjerë, prapëseprapë mos u përzieni me parimet e tyre apo t’i bindeni demonit që i udhëheq ato! “Unë nuk kërkoj,” thotë Zoti ynë, “që ti t`i heqësh nga bota, por që ti t`i mbrosh nga i ligu.” Duke qenë të ruajtur nga i ligu, ju do të zbatoni shpirtërisht atë që Abrami kreu tekstualisht—ju do të largoheni prej të afërmeve tuaj dhe shtëpisë së babait tuaj nën ndikimin e thirrjes së efektshme. Thirrja e Abramit u bë e efektshme në zemrën dhe në vullnetin e tij dhe i bëj thirrje vëmendjes tuaj për një çast, që t’i bindeni. Ishte një bindje që përfshiu, në këtë rast, sakrificë të madhe. Duhet të ketë qenë e rëndë për të të shkëputej nga njerëzit e tij.
Së pari, me të vërtetë, duket se duhet të ketë qenë shumë e rëndë për të, sepse ai ndaloi për një kohë me atin e tij, Terahun, derisa ai vdiq në Haran. Vëllezër, nuk është lojë fëmijësh të jesh i krishterë. “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë,” thotë Krishti, “nuk është i denjë për Mua.” Në shumë raste armiqtë më të mëdhenj të fesë janë miqtë tanë më të mirë. Shumë njerëz kanë zbuluar vetë zemrën e vet si armikun e tyre më të madh. Shumë fëmijë kanë zbuluar se ati që ushqehu trupin e tyre ka bërë atë ç’ka mundur për të shkatërruar shpirtrat e tyre. “Armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet,” thotë Krishti. Mirëpo asnjë marrëdhënie nuk duhet të qëndrojë si pengesë në udhën e bindjes sonë Krishtit. Lidhja më e dashur duhet të pritet sa më shpejt, në mënyrë që të mund t’ia kushtojmë besnikërinë tonë Zotit dhe Mbretit tonë të madh.
Kini kujdes se mos lidhni shoqëri të reja që mund t’ju largojnë tutje prej Tij. Kini kujdes ju burra dhe gra besimtarë, që të mos hyni nën zgjedhë të pabarabartë me jobesimtarët—qoftë në martesë ose në çdo lloj partneriteti—sepse do t’ju sjellë hidhërim të dhimbshëm. Askush nuk duhet të ketë pëlqimin tuaj përveç atyre që kanë pëlqimin e Perëndisë dhe përderisa ju nuk do të dëshironit të ndaheshit përjetësisht prej të dashurit të kraharorit tuaj, bëni kujdes se mos hyni në një bashkim me ata që janë tashmë të ndarë nga Krishti Jezus Zoti juaj! Mirëpo nëse, ndërsa jeni kthyer në besim, e gjeni veten të lidhur dhe në marrëdhënie me të papërshpirtshmit, ashtu siç ka shumë gjasa me të vërtetë, dojini ata. Dojini më tepër se sa keni bërë ndonjëherë! Jini më të butë se kurrë, më të dashur se kurrë—kështu që të mund t’i fitoni! Por kurrë mos ia nënshtroni veten mëkatit për t’i pëlqyer atyre, as mos fëlliqni dëlirësinë e zemrës suaj, që i përket vetëm Krishtit. Çfarëdo që mund t’ju kushtojë, nëse jeni me të vërtetë të thirrur prej hirit hyjnor, largohuni dhe lini gjithçka mbrapa. Këndoni me Xhin Tailor—
“Ju kënaqësi tunduese, largohuni.
Ju idhujt më të dashur, rrëzohuni.
Në dashurinë time nuk do keni pjesë,
Atë do ta ketë të gjithë Jezusi.
Dhembja është e fortë dhe therëse,
Por dashuria e Tij shëron zemrën e plagosur!
Rasti i Abramit duhet të ketë kërkuar shumë besim për të qenë aq i bindur. Ai u nis për të gjetur një vend që nuk e kishte parë kurrë më parë. Atij i thuhet veçse në cilën udhë të drejtohej dhe Perëndia do t’i tregonte se ku gjendej. Kujtoni se në ato kohëra të vjetra një udhëtim si ai që Abrami ndërmori ishte një gjë shumë më e mrekullueshme se tani. Ata njerëz të nderuar ishin të rrënjosur në vendin ku ishin rritur. Ne mund të bëjmë një udhëtim në Amerikë ose në Australi dhe nuk i vëmë shumë rëndësi—por edhe gjyshërit tanë mendonin se ishte një gjë e tmerrshme të shkonin jashtë vendit të tyre—nëse ndonjëri fliste për të emigruar në një vend të huaj atyre i dukej sikur do të shkonte në hënë!
Nëse shkoni akoma më tej do të zbuloni te njerëzit një kokëfortësi më të madhe që i mbante ata të lidhur me rrënjët e familjes. Mirë pra, Abrami duhet të çrrënjoset! Në moshën mbi 70 vjeç ai duhet të bëhet një emigrant! Ai mund të kishte pyetur se për çfarë lloj vendi bëhej fjalë, por ai nuk e bëri një gjë të tillë—është mjaftueshëm për të që Perëndia cakton udhëtimin—dhe shtegtari merr udhën. Kështu të dashur, ne duhet gjithmonë pa hezituar të ndjekim udhëheqjen e Atit tonë qiellor. Nëse jemi të thirrur nga hiri hyjnor, do të kemi nevojë të bollshme për të ushtruar besimin. Sikur të kuptonit se si vepron Perëndia me ju, sikur çdo gjë të shkonte mirë, nëse në çdo gjë ju do të përparonit si rezultat i fesë tuaj, atëherë është për t’u druajtur se mos ndoshta nuk jeni në udhën e popullit të Perëndisë, sepse udha e tyre është e shënuar me vuajtje! Është përmes shumë vuajtjesh që ata do të trashëgojnë mbretërinë. Por nëse kërkohet shumë besim, prapëseprapë mbahu, sepse premtimi i Perëndisë do ta tregojë veten me kalimin e kohës!
Nëse Perëndia të urdhëron të bësh ndonjë gjë, edhe pse mund të duket të jetë çmenduria më e madhe që mund të mendohet, prapëseprapë bëje dhe urtësia e Perëndisë do të lavdërohet në përjetimin tënd. Më duhet që t’ju mbaj akoma edhe për ca minuta më gjatë të vëmendshëm në lidhje me bindjen e Abramit, sepse dua që ju të vini re se ndërsa ajo përfshiu shumë humbje dhe kërkoi një masë të madhe besimi, prapëseprapë është e themeluar mbi një premtim të madh—një premtim tejet i madh dhe i pashoq. Të gjithë ata që e bekonin do të bekoheshin dhe ai kishte për t’u bërë një bekim për të gjithë botën! Këtu ka një shtytje të madhe për besimin për t’iu bindur premtimit.
Dhe vëllezër e motra, kur ne guxojmë për hir të Krishtit të ecim në udhën e ndarjes dhe të shtegtojmë me anë të besimit, çfarë shumice premtimesh që kemi për të gëzuar përpara nesh—”Unë do të jem me ty.” “Ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.” “Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.” “Ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur.” “Kushdo që beson në Të, nuk do të turpërohet.” “Ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar.” “Të gjitha gjërat janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.”
Shikoni vëllezër dhe motra kurorën që ju ofrohet! Nuk është gjë tjetër përveçse jeta e përjetshme! Shikoni shpëtimin tuaj! Është qyteti portat e të cilit janë prej perlash dhe rrugët prej ari! Pjesa juaj e pashoqe është lumni e pashprehshme—të jesh me Krishtin—të banosh me Të në lumni të papërfytyrueshme, botë pa fund. Merrni kurajë atëherë,përderisa për gjithçka që humbni duke ndjekur Jezusin do të fitoni njëqind fish në këtë jetë, dhe në botën që vjen jetën e përjetshme! Merrni kurajë nëse ju braktisni botën dhe humbni miqtë për hir të së vërtetës—ju do të fitoni miqësinë e frymëve të pavdekshme, engjëjt do të bëhen shërbëtorët tuaj dhe ata që janë larë me gjakun e Krishtit do të jenë vëllezërit tuaj—vetë Krishti do të jetë miku juaj dhe Perëndia Ati juaj.
Ju mund të shkoni përpara pa frikë nëse besoni se premtimi është i vërtetë! Ju keni gjithçka për të fituar dhe atë që keni për të humbur të krahasuar me këtë është më pak se asgjë. Vuajtjet e lehta të tanishme të lidhura me një jetë të përshpirtshme nuk ia vlen të krahasohen me Lavdinë që do të shfaqet në ju! Kini kujdes pra vëllezër e motra dhe gëzohuni ndërsa e kuptoni—se nëse kemi vështirësitë e Abrahamit kemi gjithashtu dhe inkurajimet e Abramit. Tani, mbasi ju kam treguar se çfarë është thirrja e efektshme dhe bindjen që sjell, do ju kujtoja vetëm se Abrami kurrë nuk ndaloi derisa arriti në Kanaan. Dhe po ashtu një fëmijë i Perëndisë, kur i thirrur efektshmërisht prej hirit hyjnor, kurrë nuk gjen paqe ose prehje derisa mbërthen Jezusin dhe kështu duke besuar hyn në prehje. Abrami mund të mbahet si një shembull për ne në bindjen kundrejt thirrjes hyjnore përderisa ai u nis menjëherë. Ai nuk pushoi për të bërë as dhe një pyetje. Ai u urdhërua të shkojë në Kanaan dhe në Kanaan ai shkoi. Ai e kreu punën e tij plotësisht—u nis për Kanaan dhe në Kanaan mbërriti. Mbasi la Kanaanin, ai dogji urat mbrapa tij.
Ai hoqi dorë nga të gjitha mendimet për t’u kthyer mbrapa sërish. Nëse do të kishte dashur të kthehej, ai mund të ishte kthyer, na thotë Apostulli. Por ai hoqi dorë përherë nga lidhjet e tij të vjetra. Ai u drejtua drejt mbretërisë së premtuar, dhe përpara drejt mbretërisë dhe bekimit të padukshëm ai do të nxitonte. Oh Fryma e Perëndisë le të thërrasë secilin nga ne sipas së njëjtës mënyrë dhe të na japë hir të jemi të bindur në të njëjtën mënyrë dhe të deklarojmë se edhe sikur të kishim për të hequr dorë nga gjithçka që kemi, dhe madje edhe vetë jetën, prapëseprapë pa mëdyshje do ta bënim, sepse Jezusi na udhëheq!—
Perëndinë e Abrahamit lavdëroj,
Me urdhrin e Tij suprem,
Prej tokës ngrihem dhe kërkoj gëzimet
Në krahun e Tij të djathtë.
Braktis gjithçka në botë,
Urtësinë, famën dhe pushtetin e saj,
Dhe vetëm Atë bëj riskun tim,
Mburojën dhe kullën time.
Ai me veten e Tij u betua,
Unë do të mbështetem në betimin e Tij.
Do të ngjitem në Qiell
I mbajtur mbi krahët e shqiponjës.
Do të shikoj fytyrën e Tij,
Do të adhuroj pushtetin e Tij,
Dhe do të këndoj mrekullitë e hirit të Tij
Përgjithmonë.
Për një minutë ju lutem të vini re ndryshimin mes thirrjes së efektshme të Zotit dhe atyre thirrjeve të zakonshme që shumë marrin. Vëllezër, ka shumë këtu, kam frikë, që janë thirrur për lavdinë dhe pavdekësinë, por thirrja ishte prej njeriut dhe me anë të njeriut. Ndoshta disa nga ne që veç pretendojnë se besojnë nuk janë thirrur nga hiri i Perëndisë, por nga gojëtaria e folësit, ose nga entuziazmi i mbledhjeve të zgjimit shpirtëror. Kini kujdes, ju lutem, nga ai lumë burimi i të cilit nuk qëndron në bazën e fronit të Perëndisë. Kini kujdes nga ai shpëtim që nuk lind prej veprës së Perëndisë Fryma e Shenjtë, sepse vetëm ç’ka që vjen prej Tij do të udhëheqë te Ai. Vepra që nuk çel prej dashurisë së përjetshme nuk do të na sjellë kurrë në jetën e përjetshme.
Thirrja e shumë njerëzve është e tillë që kur vjen te ta, ata ngrenë shumë pyetje nëse do t’i binden asaj ose jo. E vërteta e Perëndisë u fol me zell dhe në mënyrë mallëngjyese dhe ata nuk mund se si të mos ndjenin diçka prej fuqisë së saj, por ata pyesin se çfarë të kushton dhe ndërsa zbulojnë se për të qenë të krishterë ata duhet të heqin dorë nga shumë gjëra që i duan fort, po ashtu si gruaja e Lotit, ata shikojnë mbrapa dhe vdesin! Po ashtu si Elastiku, udhëtojnë deri në Moçalin e Shkurajimi, por ata nuk e pëlqeje shtegun me baltë dhe prandaj ia mbathin për në shtëpi dhe kthehen mbrapa përsëri në Qytetin e Shkatërrimit. Kam njohur shumë që patën një thirrje të një fare lloji dhe që janë përpjekur të shkojnë në Kanaan dhe prapëseprapë ndaluan në Haran. Ata do të donin me gëzim t’i shërbenin Perëndisë dhe prapëseprapë duke jetuar ashtu si më përpara.
Ata e mendojnë si të mundur të jesh një i krishterë dhe prapëseprapë të jesh një shërbëtor i botës! Ata përpiqen ta vënë Luanin e fisit të Judës dhe luanin e gropës së ferrit nën të njëjtën zgjedhë duke shtegtuar kështu në rrugët e jetës.
Ah zotërinj, thirrja që vjen nga Perëndia nxjerr një njeri menjëherë jashtë—ndërsa thirrja që i vjen vetëm natyrës suaj mishore ju lë me pjesën tjetër të njerëzimit dhe do t’ju lërë atje për t’ju vendosur në të njëjtin vandak me mëkatarët dhe për t’ju hedhur në të njëjtin zjarr! Shumë dalin jashtë Egjiptit, por kurrë nuk arrijnë në Kanaan. Ashtu si bijtë e Izraelit që lanë kufomat e tyre në shkretëtirë, zemrat e tyre nuk janë të shëndosha kundrejt Zotit. Ata ia nisin mirë, por shija e hudhrave dhe të qepëve mbetet në gojën e tyre dhe skllavëron shpirtin e tyre me begatinë e Egjiptit.
Ashtu si planetët, ata ndikohen prej dy shtytjesh—njëra i tërheq në Parajsë, por tjetra i shpie drejt botës—dhe kështu ata rrotullohen rreth vetes, ashtu si mulliri, pa bërë përparim. Ata vazhdojnë akoma, të kenë frikë Zotin thjesht si emër dhe prapëseprapë i shërbejnë akoma zotërve të tjerë në mënyrë praktike dhe në zemrat e tyre. Kini kujdes, miq të shtrenjtë, nga thirrja që ju bën të niseni, por që nuk bën të këmbëngulni. Lutuni që ky tekst të jetë i vërtetë për ju, “Ata u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit.”
Mos jini të kënaqur duke u lutur për t’u shpëtuar—mos jini kurrë të kënaqur derisa të jeni të shpëtuar. Mos jini të kënaqur duke u përpjekur të besoni dhe të pendohuni—ejani te Krishti dhe pendohuni dhe besoni—mos i jepni dremitje qepallave tuaj derisa të jeni një besimtar i penduar. Kryeni një vepër të plotë dhe të tërë të shpëtimit tuaj! Mos u përpiqni të arrini portën e ngushtë, por të hyni aty. Për këtë ju duhet të keni një thirrje prej Zotit të qiellit. Mund t’ju thërras ashtu siç ju kam thirrur me dhjetëra herë dhe ju keni shkuar deri diku dhe jeni betuar ta bëni të gjithë udhën—por kur mirësia juaj ka qenë si reja dhe vesa e mëngjesit, shpejt është shpërndarë dhe ka shkuar tutje. Perëndia ju dhëntë të merrni thirrjen e Frymës së Tij të përjetshme, që të mund të shpëtoheni!
II. Mbetën dhe pak minuta që do t’i përdor duke ndryshuar subjektin. Nëse teksti ynë ilustron shumë mirë thirrjen e efektshme, po ashtu ai mund të PARAQESË KËMBNGULJEN PËRFUNDIMTARE. “Ata u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit.” Kjo është e vërtetë për çdo fëmijë të vërtetë të Perëndisë që është me të vërtetë i kthyer në besim dhe që ka marrë besimin e të zgjedhurit të Perëndisë.
Ah, ajo doktrinë e mjerë që thotë se shenjtorët u nisën për në Kanaan, por kurrë nuk mbërritën atje! Mjafton për ta bërë jetën e besimtarit një ferr të vërtetë mbi tokë! Nuk ka rëndësi se sa i lumtur që jam, ajo doktrinë do të helmonte tërë paqen time të shpirtit. Doktrina që mohon se shtegtarët drejt Lavdisë rriten gjithnjë e më shumë në forcë derisa secili prej tyre në Sion shfaqet përpara Perëndisë, por që mëson se dhentë e Krishtit mund të shqyhen prej ujqërve—se gurët në tempullin shpirtëror mund të shpërndahen në të katër erërat, se gjymtyrët e Krishtit mund të shkëputen prej Trupit të Tij të shenjtë dhe se nusja e Krishtit mund të gjymtohet—ju them se më trondit arsyen, përjetimin, besimin, të gjithë natyrën time shpirtërore!
Besoj në këmbënguljen përfundimtare të çdo njeriu në të cilin hiri ripërtëritës i Perëndisë ka realizuar një ndryshim natyre. Nëse ai ka lindur prej Perëndisë, ai nuk mund të vdesë! Nëse Fara e gjallë është në të, djalli nuk mund ta shkatërrojë dot, sepse Fjala jeton dhe qëndron përherë! Ngaqë Krishti jeton, çdo besimtar që është një me Jezusin duhet të jetojë gjithashtu! Ne nisemi atëherë për në tokën e Kanaanit dhe bekuar qoftë Perëndia, në tokën e Kananit do të mbërrijmë! Perëndia e ka për qëllim. Ai synon që të gjithë bijtë të mund të sillen në Lavdi prej Autorit të shpëtimit të tyre. Dhe përderisa e ka thënë a nuk do ta përmbushë vallë? Ne do të arrijmë vendin tonë të prehjes, sepse Shqytari që udhëheq shtegun nuk është tjetër përveçse Jezu Krishti, Engjëlli i Besëlidhjes, i fuqishëm për të shpëtuar! Ne do të ruhemi, sepse përreth nesh është një mur zjarri dhe mbi ne është mburoja e të Përjetshmit dhe të Pandryshueshmit, dashuria e të Cilit është e përjetshme!
Udha nuk do të na lodhë—Ai do të na japë takëme hekuri dhe tunxhi dhe po aq sa do të jenë ditët tona aq do të zgjasë edhe forca jonë. Ashpërsia e rrugës nuk do të na bëjë të lëshohemi—Ai do të na mbajë mbi krahë shqiponje—Ai do të na japë engjëjt e Tij të kujdesen për ne që këmba jonë të mos ndeshë ndonjë gur. Shigjetat e ferrit nuk do të na shkatërrojnë, sepse Ai na siguron koracë—nuk do të na ndodhë ndonjë gjë e keqe. Kurthet e djallit nuk do të na zënë, sepse urtësia e Tij me siguri që do të gjejë një rrugë shpëtimit prej çdo tundimi që i ndodh bijve dhe bijave të Tij. Lavdi i qoftë Perëndisë, nuk është në pushtetin e tokës dhe të ferrit të vënë bashkë të ndalojnë ndonjërin prej shtegtarëve të Zotit drejt arritjes së Qytetit Qiellor!
“Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë?” “Duke qenë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” “Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.”
“Çdo objekt i dashurisë së Tij është i sigurt
të arrijë qëllimin qiellor,
sepse as mëkati as satani nuk mund
të shkatërrojnë shpirtin e larë nga gjaku.
Satani mund të bezdisë dhe mosbesimi
të shpëtuarin mund ta mërzisë,
Por ai duhet të fitojë; po, po aq me siguri
Sa Jezusi mbretëron në gëzim,
Gjaku i çmuar i Birit të shtrenjtë të Perëndisë
Nuk do të derdhet kurrë më kot!
Shpirti që beson në Krisht
Duhet të mbretërojë me Krishtin përherë.”
Teksa ktheheni tek ky tekst, këtë mbasdite, do të doja të mendojmë mbi këto tre gjëra—Ne jemi nisur për në tokën e Kanaanit—ne e dimë se ku po shkojmë. Mendo shumë mbi limanin tënd të prehjes. Studio atë Shkrim të çmuar që zbulon Jeruzalemin e ri. Ji familjar me harpat engjëllore. Eja në asamblenë e përgjithshme dhe Kishën e të rilindurve. Le të jenë soditjet e Shabatit ato të Shabatit të përjetshëm që prej agut të ditës.
Më pas, ne e dimë se pse po shkojmë. Ne po shkojmë në Kanaan, sepse Perëndia na ka thirrur për të shkuar atje. Ai na jep forcë për të shkuar dhe vë jetë-forcën përbrenda nesh që na bën të drejtohemi lart drejt vendit banues të përjetshëm, limani i lumtur i të shenjtëve. Dhe ne e dimë se po shkojmë—kjo është një tjetër mëshirë. Ne nuk shpresojmë se po shkojmë në Parajsë, ne e dimë se po shkojmë atje! Krishti është rruga. Flamuri i dashurisë na udhëheq. Shtylla prej reje e zjarrtë e Providencës na drejton. Premtimi na mbështet. Fryma e Shenjtë banon në ne—për të gjitha këto ne kemi mirëbesim. I bekuar qoftë Perëndia, ne nuk i vëmë në mëdyshje këto gjëra! Vini re dy ose tre gjëra në këtë tekst që ia vlejnë të mbahen mend. “Ata u nisën.” Veprim energjik! Njerëzit nuk janë të shpëtuar ndërsa janë në gjumë. Nuk ka nisje për në Qiell mbi shtretër të rehatshëm! “Ata u nisën për në tokën e Kanaanit.” Këndvështrim i zgjuar! Ata e dinin se çfarë po bënin. Ata nuk shkuan për të punuar në një mënyrë qorre, duke mos e kuptuar drejtimin e tyre. Ne duhet ta njohim Krishtin nëse do të donim të gjendeshim në Të. Duhet të na jepet të shikojmë te Ai dhe të besojmë në Të, duke kuptuar se çfarë do të thotë kjo gjë. Njerëzit nuk janë të shpëtuar me anë të verbërisë së një besëtytnie të paditur. “Dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve. Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit.” Vendosmëri e patundur! Ata mund t’i bënin qëndresë kundërshtimeve, por ata nuk do të hiqnin dorë prej bindjeve të tyre. Ata synonin Kanaanin dhe Kanaanin do të fitonin. Ai që do të shpëtohet duhet ta fitojë Parajsën me dhunë. “Ata arritën në vendin e Kanaanit.” Këmbëngulje e përkryer! “Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.” Jo vrulli dhe më pas çlodhja, por vrapimi i vazhdueshëm fiton garën. Të gjitha këto mendime vijnë përreth asaj ideje të këmbënguljes përfundimtare që teksti vë përpara.
Por sa keq miq të shtrenjtë, sa shumë që ka që nisen për në Kanaan, por nuk arrijnë dot në Kanaan! Disa ndalojnë prej depresionit që hasin. Ashtu si Elastiku ata shkojnë në shtëpi me baltën e Dëshpërimit në çizmet e tyre. Të tjerë kthehen drejt vetë-drejtësisë. Ata ndjekin drejtimet e zotit Mondan të urtë dhe mbështeten tek Doktor Legalisti, ose zonja Qytetaria—dhe Sinai bie mbi ta dhe i shtyp. Disa kthehen në krahun e djathtë me Hipokrizinë, duke menduar se të pretendosh të jesh i shenjtë është njësoj me shenjtërinë. Të tjerët shkojnë në krahun e majtë të Formalitetit, duke përfytyruar se sakramentet dhe ritet e jashtme do të jenë po aq të efektshme sa pastërtia dhe vepra e Frymës në zemrat e tyre.
Shumë bien në minierat e arit ku Dema theu qafën. Me qindra shkojnë në kështjellën e Dëshpërimit dhe lënë kockat atje, sepse nuk duan të besojnë në Krishtin dhe kështu të fitojnë jetën e përjetshme. Disa shkojnë larg, në dukje, por, ashtu si Injoranca ata kurrë nuk shkojnë me të vërtetë dhe kur mbërrijnë te lumi vdesin në çastin e fundit. Disa, ashtu si Largimi, bëhen apostatë dhe tërhiqen prej derës së pasme për në ferr mbas gjithë pretendimeve të tyre. Disa janë të frikësuar prej luanëve. Disa janë të tunduar prej kullotës aty anash. Disa do të donin të shpëtoheshin, mirëpo si fillim duhet të bëhen të pasur. Shumë do të donin të shpëtoheshin, por nuk mund të durojnë të përqeshen. Disa do të donin të besonin në Krisht, por nuk mund ta durojnë dot Kryqin e Tij. Shumë do të donin të mbanin kurorën, por ata nuk mund të durojnë dot punën që kërkohet për ta arritur. Ah, ju bij njerëzish, ju do të ktheheni anash te zonja Paturpësi dhe të zonja Pasion! Ju do të magjepseni me këtë e atë dhe me tjetrën që ju siguron shkatërrimin tuaj, por bukuritë e Shpëtimtarit të lavdishëm, gëzimet që zgjasin, lumturia e vërtetë që Ai ka për t’ju dhënë, këto janë shumë të larta për ju! Këto janë sipër jush dhe ju nuk i kërkoni—ose nëse i kërkoni për pak kohë, qeni kthehet në atë që ka vjellë dhe dosa e larë kthehet të zhgërryet në llucë. Guri i lëshuar nuk ngjitet në Qiell, sepse tërheqja e tokës e kthen atë mbrapa. Ah i pëlqeftë Perëndisë të dërgojë hir hyjnor në zemrat tuaja prej Frymës së Tij të Shenjtë që ne gjithashtu të nisemi në një frymë përulësie me mirëbesim në Krisht, në fuqinë e Frymës për në tokën e Kanaanit dhe në vendin e Kanaanit të mund të mbërrijmë me të vërtetë dhe Zoti do të ketë lavdinë! Amen.